© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA FABRIS kundër FRANCES
(Kërkesë no 16574/08)
VENDIMI
(Themeli)
STRAZBURG
7 shkurt 2013
Ky vendim është përfundimtar. Ai mund të pësojë përmirësime në formë.
Në çështjen Fabris kundër Francës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, që u mblodhën në një Dhomë të Madhe të përbërë nga :
Josep Casadevall, kryetar,
Françoise Tulkens,
Nina Vajić,
Lech Garlicki,
Karel Jungëiert,
Elisabeth Steiner,
Alvina Gyulumyan,
Egbert Myjer,
Dragoljub Popović,
George Nicolaou,
András Sajó,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Işil Karakaş
Guido Raimondi,
Paulo Pinto de Albuquerque,
André Potocki, gjyqtarë,
et de Johan Calleëaert, ndihmës sekretar i Dhomës së Madhe,
Pasi ka diskutuar në dhomën e këshillit në 4 dhe 24 tetor 2012,
Jep vendimin si më poshtë, të miratuar në këtë datë të fundit :
PROCEDURA
1. Në origjinë të çështjes ka një kërkesë (no 16574/08) e drejtuar kundër Republikës Franceze me të cilën një kërkues i këtij shteti M. Henry Fabris (« kërkuesi »), i është drejtuar Gjykatës në 1 prill 2008 sipas nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesi përfaqësohet nga avokati A. Ottan, avokat në Lunel. Qeveria franceze (« Qeveria ») përfaqësohet nga agjentja e saj, Znj. E. Belliard, drejtore e çështjeve juridike në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
3. Kërkuesi, një fëmijë « jashtë martese » pretendon se, në kuadrin e trashëgimisë së nënës së tij, ka pësuar një diskriminim të bazuar në lindjen që bie ndesh me nenin 14 të Konventës të kombinuar me nenin 1 të Protokollit no 1 dhe nenin 8 të Konventës.
4. Kërkesa ka kaluar në seksionin e pestë të Gjykatës (neni 52 § 1 i rregullores). Në 10 shkurt 2010, kryetari i seksionit ka vendosur t’ia komunikojë Qeverisë. Ashtu siç e lejonte dikur neni 29 § 3 i Konventës (neni aktual 29 § 1) dhe neni 54 A i regullores, ajo ka vendosur se do të shqyrtoheshin njëkohësisht si pranueshmëria edhe themeli i çështjes. Në 21 korrik 2011, një dhomë e seksionit të pestë të përbërë nga emrat në vijim : Dean Spielmann, Kryetar, Jean-Paul Costa, Boštjan M. Zupančič, Mark Villiger, Isabelle Berro‑Lefèvre, Ann Pover dhe Angelika Nußberger, gjyqtarë, si dhe Claudia Westerdiek, sekretare seksioni ka deklaruar se kërkesa është e pranueshme.
Ajo ka vendosur me 5 vota pro dhe dy kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 14 të Konventës të kombinuar me nenin 1 të Protokollit no 1 dhe, unanimisht, se nuk ka vend për të shqyrtuar veçmas ankesën e bazuar në nenin 14 të Konventës të kombinuar me nenin 8.
5. Në 6 shtator 2011, kërkuesi ka kërkuar që çështja të kalojë në Dhomën e Madhe sipas nenit 43 të Konventës dhe nenit 73 të rregullores. Në 28 nëntor 2011, kolegji i Dhomës së Madhe e miratoi kërkesën.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u vendos në pajtueshmëri me nenet 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe 24 të rregullores.
7. Si kërkuesi edhe Qeveria kanë depozituar memot para Dhomës së Madhe..
8. Një seancë u zhvillua në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, në 4 prill 2012 (neni 59 § 3 i rregullores).
U paraqitën :
– për Qeverinë
Zonjat A.-F. Tissier,bashkagjente
E. Topin, Ministria e Punëve të Jashtme Evropiane,
M.-A. Recher, Ministria e Drejtësisë,
C. Azar, Ministria e drejtësisë,Këshillëtare ;
– për kërkuesin
Z.A. Ottan, avokat
Znj.M. Ottan, avokate, këshilltarë.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e avokatit Otan dhe Znj. Tissier.
Referimi i Faktit
I. RRETHANAT E RASTIT
9. Kërkuesi ka lindur në vitin 1943 dhe jeton në Orléans.
A. Konteksti i çështjes
10. Kërkuesi në lindje u njoh nga i ati. Në kohën e konceptimit të tij, nëna, Znj.R, bashkëshortja M., ishte e lidhur me martesë dhe nga ky bashkim kishin lindur dy fëmijë, A. lindur në 1923 dhe J.L. lindur në 1941. Nga një gjykim i 28 shkurtit 1967, u shpall ndarja e nënës së kërkuesit dhe bashkëshortit të saj, z. M.
11. Me një akt të 24 janarit 1970, bashkëshortët M bënë një dhurim-ndarje të pasurive të tyre midis dy fëmijëve legjitimë. Ky akt, i bërë para noterit, përmbante një rezervë usufrukti dhe të drejtën e revokimit, për të garantuar detyrimet dhe kushtet e dhurimit. Në përfundim të tij, bashkëshortët M. deklaruan se nuk kishin fëmijë të tjerë përveç dy përfituesve.
12. Nga një vendim i 24 nëntorit 1983, gjykata e shkallës së parë të Montpellier-së e shpalli kërkuesin fëmijë jashtë martese të Znj.M., pasi kishte konstatuar se gjendja si fëmijë i paligjshëm ishte vërtetuar gjerësisht. .
13. Në 1984, kërkuesi ka shprehur dëshirën ta kundërshtojë dhurim-ndarjen e bërë në vitin 1970. Në këtë kohë, avokati i tregoi se ky akt nuk mund të kontestohej në të gjallë të dhuruesit dhe se mund të ndërmerrej një veprim ligjor bëhej një padi për reduktim vetëm pesë vjet pas vdekjes së tij.
14. Në korrik 1994, nëna e kërkuesit vdiq. Me një letër të 7 shtatorit 1994, noteri i ngarkuar për trashëgiminë i kujtoi kërkuesit se si fëmijë « jashtë martese » atij i takonte vetëm gjysma nga ajo çka mund të kishte trashëguar nëse do të kishte qenë fëmiijë i ligjshëm (meqë legjislacioni i zbatuarparashikonte në këtë të moment një të drejtë trashëgimie të reduktuar në gjysmën e asaj që do të merrte një fëmijë i ligjshëm- shih paragrafët 26 dhe 27 më poshtë). Ai i tha se vëllai dhe motrat tij me nënë, ishin gati t’i paguanin në dorë shumën 298 311 franga franceze (FRF) (afërsisht 45 477 euro (EUR) duke saktësuar se « në rastin e reduktimit të pasurisë për shfaqjen e një fëmijë tjetër më pas bëhet fjalë vetëm për një reduktim në para por në asnjë rast në natyrë ». Asnjë marrëveshje nuk u arrit midis tre fëmijëve.
B. Padi për reduktim e nisur nga kërkuesi
15. Me aktin e 7 janarit 1998, kërkuesi thirri në gjyq gjysmë- vëllain J.L. dhe gjysmë- motrën A. për reduktim të dhurim - ndarjes, sipas nenit 1077‑1 të kodit civil (paragrafi 25 më poshtë). Ai kërkoi një pjesë nga rezerva, të barabartë me pjesën e tyre mbi shumën e trashëguar nga e ëma.
16. Pas dënimit nga Gjykata në çështjen Mazurek kundër Francës (no 34406/97, 1 shkurt 2000, GJEDNJ 2000‑II), Franca, e ndryshoi me ligjin no 2001-1135 të 3 dhjetorit 2001 (më pas, « ligji i 2001-shit »), legjislacionin e saj dhe u dha fëmijëve « jashtë martese » të drejta trashëgimie të njëjta me ato të fëmijëve legjitimë (paragrafi 28 më poshtë). Ky ligj i ri hyri në fuqi para se të shpallej vendimi për çështjen në vazhdim. Sipas dispozitave të tij kalimtare me përjashtim të marrëveshjeve me mirëkuptim tashmë të kryera dhe vendimeve gjyqësore të pakthyeshme, dispozitat që lidhen me të drejtat e reja mbi trashëgiminë e fëmijëve të paligjshëm, nëna apo babai i të cilëve kanë qenë të lidhur nga martesa në kohën e konceptimit të tyre, ishin të zbatueshme për trashëgimitë e hapura në datën e publikimit të ligjit në Gazetën zyrtare (4 dhjetor 2001), që nuk kishin çuar në ndarjen e pasurisë para kësaj date (neni25-II i ligjit të 2001, paragrafi 30 më poshtë).
17. Në këto përfundime përmbledhëse të 20 shkurtit 2003, kërkuesi u mbështet në dispozitat e ligjit të 2001-shit. Ai pretendon se ky i fundit shfuqizonte nenin 14 të ligjit të 3 janarit 1972 mbi bijësimin (më pas, « ligji i 1972-shit », paragrafi 27 dhe 29 më poshtë), dispozitë e kalimtare që parashikon se të drejtat mbi rezervën të vendosura nga ky ligj nuk mund të ushtroheshin në dëm të dhurimeve të bëra midis të gjallëve para se të hynte në fuqi. Sipas kërkuesit, shfuqizimi i kësaj dispozite e bënte të pranueshme kërkesë –padinë për reduktim të parashikuar në nenin 1077-1 të kodit civil megjithëse dhurim-ndarja ishte bërë në 24 janar 1970.
1. Gjykimi në shkallë të parë
18. Me një vendim të 6 shtatorit 2004, gjykata e shkallës së parë e Béziers e pranoi kërkesën e kërkuesit. Ajo çmoi se neni 14 i ligjit të 1972-shit binte ndesh me nenet 8 dhe 14 të Konventës. Për këtë, ajo i referohet vendimmit Marckx kundër Belgjikës (13 qershor 1979, seria A no 31) duke pranuar se « jeta familjare përmbante gjithashtu interesat materiale », si në shumë vendime të Gjykatës « që kanë vazhduar të afirmojnë karakterin diskriminues të trajtimeve të diferencuara në fushën e trashëgimisë midis fëmijëve të ligjshëm e të paligjshëm vendimet Mazurek, Inze dhe Vermeire) ». Ajo mendon gjitashtu se ky nen binte ndesh me ligjin e ri të 2001-shit. Ajo gjykoi se i interesuari zotëronte të njëjtat të drejta trashëgimie si gjysmëvëllai dhe gjysmëmotra e tij në pasurinë e trashëguar duke arsyetuar vendimin e saj si më poshtë :
« se neni 25-1 i ligjit të 3 dhjetorit 2001 thotë që ky ligj është i zbatueshëm në trashëgimitë e hapura duke filluar nga zbatimi i tij ; se me përjashtim të marrëveshjejeve me mirëkuptim që janë bërë tashmë dhe vendimeve gjyqësore të pakthyeshme, dispozitat e këtij ligji janë të zbatueshëm për trashëgimi të hapura në datën e publikimit të ligjit në gazetën zyrtare të Republikës franceze përderisa këto trashëgimi nuk kanë çuar në kryerjen e ndarjes para kësaj date ;
Se në këtë rast, trashëgimia e Znj. M. nuk është bërë ende objekt për ndarje prandaj zbatohen dispozitat që lidhen me të drejtat e reja të trashëgimisë për fëmijët e paligjshëm nëna ose babai të cilëve ka qenë në kohën e konceptimit, i lidhur nga martesa (...).
Se në fakt, nuk është serioze të pretendosh se ligjëvënësi, duke miratuar ligjin e 3 dhjetorit 2001, ka dashur të ruajë një dispozitë që bie ndesh me frymën dhe qëllimin e ligjit të ri”
2. Vendimi i apelit
19. Në tetor dhe në dhjetor 2004, J.L. dhe trashëgimtarët e A., e vdekur gjatë procedurës, apeluan vendimin.
20. Me një vendim të 14 shkurt 2006, gjykata e apelit të Montpellier-së e hodhi poshtë gjykimin dhe deklaroi se kërkuesi nuk u pranua të ushtronte të drejtën e padisë për reduktimin e dhurim-ndarjes në zbatim të nenit 14 paragrafi 2 i ligjit të 1972-shit. Ajo saktësoi se :
« (...) sipas [këtij neni], të drejtat e trashëgimtarëve për të drejtën e rezervës që vendosen nga ky ligj ose që burojnë nga rregulla të reja që kanë të bëjnë me përcaktimin e bijësimit, nuk mund të ushtrohen në dëm të dhurimeve midis të gjallëve që janë bërë para hyrjes së tij në fuqi.
Ky tekst, që dikton një rregull të përgjithshëm, veçanërisht për sa u përket efekteve prapavepruese të rregullave të reja lidhur me bijësimin, të cilat burojnë nga ligji i 3 dhjetorit 1972, nuk është abroguar shprehimisht nga ligji i 3 dhjetorit 2001, dhe abrogimi i tij i heshtur nuk cenohet nga ky ligj , nga njëra anë sepse ky tekst nuk bie ndesh me këtë ligj dhe nga ana tjetër sepse nuk kufizohet vetëm me zbatimin e nenit 915 të kodit civil të abroguar nga ky ligj.»
Gjykata e apelit çmoi se një përfundim i tillë nuk ishte i papajtueshëm me parimin e përgjithshëm të barazisë së të drejtave pavarësisht lindjes, ashtu siç del nga nenet 1 të Protolollit no 1, 8 dhe 14 të Konventës :
« Së pari, dispozitat e nenit 14 të ligjit të 1972-shit kanë për objekt të vetëm të ndalojnë ushtrimin e të drejtave të trashëgimtarëve që kanë të drejtën e rezervës të vendosur nga ky ligji dhe të zgjeruar nga ligji i 3 dhetorit 2001, në dëm të dhurimeve midis të gjallëve të bëra para 1 gushtit 1972, pa i privuar këta trashëgimtarë nga e drejta e tyre e trashëgimisë. Më pas, ato paraqesin një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm për sa i përket qëllimit të përligjur që është ndjekur, pra, për të garantuar një farë paqeje në raportet familjare duke siguruar të drejta të fituara në këtë kuadër, ndonjëherë qysh prej shumë kohësh, pa krijuar gjithsesi mosmarrëveshje të forta midis trashëgimtarëve, meqë vihet re se [këto dispozita] kanë një ndikim të kufizuar në kohë dhe për sa u përket dhurimeve në fjalë. »
3. Vendimi i Gjykatës së kasacionit
21. Kërkuesi paraqiti një ankesë në kasacion. Në ankesën e vet në kasacion të bazuar në shkeljen e neneve 1 të Protokollit no 1 dhe 14 të Konventës, ai pretendoi se paqja në raportet familjare nuk mund të kishte një legjitimitet më të madh se barazia, në fushën e të drejtave me karakter civil, midis bijve të dalë nga një martesë dhe atyre të lindur jashtë martese.
22. Në mendimin e tij transmetuar palëve, avokati i përgjithshëm i Gjykatës së kasacionit propozoi hedhjen poshtë të ankesës. Ai iu drejtua gjyqtarëve të dhomës së parë civile të Gjykatës së kasacionit me këto terma :
« (...) a nuk duhet konsideruar se trashëgimia e çelur nuk është bërë objekt ndarjeje para datës së publikimit të ligjit, përderisa një padi për reduktim të dhurim-ndarjes është ende e pagjykuar deri në këtë datë ?
Në fakt, vështirësia që shtrohet para jush lind nga një qasje e ndryshme e propozuar nga dispozitat kalimtare të ligjeve të viteve 1972 dhe 2001. Ndërkohë që as trashëgimitë e hapura, as dhurimet midis të gjallëve të bëra para hyrjes në fuqi të ligjit të 1972-shit, nuk mund të viheshin në dyshim nga ky ligj, ligji i 2001-shit u lejon fëmijëve të paligjshëm babai ose nëna e të cilëve, në kohën e konceptimit, është i lidhur nga martesa, të kenë të drejta trashëgimie në trashëgimitë e hapura para publikimit të këtij ligji.
Kjo diferencë justifikon që dispozitat e ligjit të 2001-shit të mos zbatohen në mënyrë kufizuese. Vetëm një ndarje e realizuar, një marrëveshje me mirëkuptim e kryer, ose një vendim gjyqësor i pakthyeshëm, lejojnë të kundërshtohen të drejtat e reja të këtyre fëmijëve në trashëgimitë e hapura. Me ushtrimin e të drejtës së padisë për reduktim, trashëgimia e hapur në datën e publikimit të ligjit të 2001-shit nuk mund të « japë shkas për ndarje » në datën e publikimit të ligjit.
Për rrjedhojë, më duket e vështirë të pretendohet se ligji i 3 dhjetorit 2001 nuk është i zbatueshëm. Përkundrazi, formulimi i nenit 14 të ligjit të 3 janarit 1972 nuk ka asnjë ambiguitet. Të drejtat e trashëgimtarëve të rezervës të vendosura nga ligji nuk mund të ushtrohen « në dëm të dhurimeve midis të gjallëve të bëra para hyrjes së tij në fuqi ». A duhet atëherë, të pranohet se këto dispozita kanë qenë abroguar heshturazi ?
Duke abstraguar mbi kohën, parashtresat thonë se kontradikta e hapur midis dispozitave kalimtare të këtyre dy ligjeve sjell abrogimin e heshtur të atyre që përcaktojnë ligjin e 1972. Nëse qasja është e ndryshme midis regjimit provizor të vendosur në vitin 1972 dhe regjimit të vendosur në 2001-shin , nuk më duket gjithsesi se ka kontradiktë.
Duke përjashtuar vënien në dyshim të dhurimeve midis të gjallëve të bëra para hyrjes në fuqi të ligjit të 1972-shit, ligjvënësi ka dashur të garantojë sigurinë juridike që këto dhurime kërkojnë. Asgjë nuk e justifikon vënien në dyshim të kësaj siguri juridike në vitin 2002, meqë dispozitat kalimtare të mëparshme ishin plotësuese të dispozitave të përcaktuara nga ligji i 2001-shit.
Kjo më çon në përfundimin që t’ju propozoj ta hidhni poshte pjesën e parë të ankimit, pasi dhurimi midis të gjallëve i bërë në 24 janar 1970 nuk mund të vihej në dyshim nga të drejtat e trashëgimisë që lindin nga rregulla të reja përsa i përket përcaktimit të pasardhësve trashëgimtarë. Në këtë drejtim, nëse realiteti i ndarjes para datës së publikimit të ligjit të 3 dhjetorit 2001 është i diskutueshëm, eksistenca e një dhurimi midis të gjallëve i bërë para hyrjes në fuqi të ligjit të 3 janarit 1972, nuk është diskutuar (...) »
23. Me një vendim të nëntorit 2007, Gjykata e kasacionit kryesisht hodhi poshtë ankesën pwr arsye tw pastra ligjore. Ajo kujton se në zbatim të dispozitave kalimtare të ligjit të 2001-shit, të drejtat e reja të trashëgimisë të fëmijëve të paligjshëm babai ose nëna e të cilëve në kohën e konceptimit ishin të lidhur me martesë, nuk ishin të zbatueshme veçse në trashëgimi të hapura dhe ende të pandara para 14 dhjetorit 2001 (paragrafi 16 më lart). Ajo vuri në dukje se meqë ndarja e trashëgimisë u realizua nga vdekja e znj. M., që ndodhi në korrik 2001, dispozitat e lartpërmendura nuk ishin të aplikueshme.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Dhurim-ndraja dhe padia për reduktim
24. Ligji francez lejon të kryesh vetë ndarjen e trashëgimisë midis trashëgimtarëve. Në kuadrin e një dhurim-ndarje, dhuruesi vendos një shpërndarje të menjëhershme të pasurive (transferim midis të gjallëve) Kjo është një ndarje e parakohshme, përfundimtare dhe e negociuar. Pronësia e pasurive në fjalë transferohet në momentin e dhurimit, që përbën në të njëjtën kohë aktin e parë (të parakohshëm) të një trashëgimie të destinuar për t’u hapur më vonë. Sipas jurisprudencës së Gjykatës së Kasacionit, dhurim –ndarja bëhet një ndarje trashëgimie me vdekjen e dhuruesit. Trashëgimia është njëkohësisht e çelur dhe përfundimisht e likuiduar ose e ndarë ditën e vdekjes së trashëgimlënësit (Cass. Civ. 7 mars 1876 ; 1re Civ, 5 tetor 1994, Bull. 1994, I, no 27).
25. Pasardhësit që nuk e ka marrë pjesën e tij gjatë ndarjes i kërkohet të krjojë pjesën e tij të rezervës mbi pasuritë që ekzistojnë në hapjen e trashëgimisë. Nëse këto pasuri nuk mjaftojnë, ai ka të drejtën e padisë për reduktim, që mund ta ushtrojë në një afat prej pesë vjetësh që nga vdekja e dhuruesit. Kjo është rruga e ankimit që ka përdorur kërkuesi në pajtueshmëri me nenet 077-1 dhe 1077-2 të kodit civil, siç ishin të formuluar në kohën e fakteve :
Neni 1077-1
« Pasardhësi që nuk ka pasur të njëjtat të drejta në dhurim-ndarje, ose ka marë një trashëgimi më të vogël se pjesa e rezervës, mund të ushtrojë të drejtën e padisë për reduktim, nëse nuk ekzistojnë në hapjen e trashëgimisë pasuri që nuk përfshihen në ndarje dhe të mjaftueshme për të formuar ose plotësuar rezervën e tij, duke marrë parasysh dhurimet nga të cilat ai ka përfituar.
Neni 1077-2
« Dhurim-ndarjet ndjekin rregullat e dhurimit midis të gjallëve gjithë çka të bëjë me heqjen, përllogaritjen e rezervës dhe reduktimin.
Padia për reduktim nuk mund të bëhet veçse pas vdekjes së trashëgimlënësit i cili ka bërë ndarjen ose nga i mbijetuari i trashëgimlënësve në rast kur ndarja është vendosur bashkarisht. Ajo parashkruhet me pesë vjet që nga vdekja e tij
Fëmija që s’është konceptuar në momentin e dhurim-ndarjes ka të drejtën e një padije të ngjashme për të formuar ose plotësuar pjesën e vet të trashëgimisë.»
26. Nenet 913 dhe 915 të kodit civil që lidhen « me pjesën e disponueshme të pasurive të lira, » në dhurimet midis të gjallëve dhe testamentet, që nga ai moment të shfuqizuar, lexoheshin si më poshtë :
Neni 913
« Dhurimet, qoftë me akt midis të gjallëve, qoftë me testament nuk mund ta tejkalojnë gjysmën e pasurive të dhuruesit, vetëm nëse ai lë pas vdekjes së tij vetëm një fëmijë ; një të tretën nëse lë dy fëmijë, një të katërtën nëse ai lë tre ose më shumë fëmijë; pa bërë dallime midis fëmjëve legjitimë dhe jolegjitimë, me përjashtim të rastit të nenit 915. »
Neni 915
« Kur një fëmijë i paligjshëm babai ose nëna e të cilit ishte, në kohën e konceptimit, i lidhur me martesë me një person tjetër, caktohet në trashëgiminë e prindit të vet bashkë me fëmijët legjitimë të dalë nga kjo martesë, ai meret parasysh përmes pranisë së vet për përllogaritjen e pjesës së disponueshme ; por pjesa në rezervën e trashëgimisë është e barabartë vetëm me gjysmën e asaj që ai do të kishte pasur nëse të gjithë fëmijët, duke përfshirë këtu vetë atë, do të kishin qenë legjitimë.
Pjesa, me të cilën kuota e tij në rezervë është zvogëluar do t’u shtohet vetëm fëmjëve të dalë nga martesa të cilën kurorëshkelja e ka dëmtuar, ajo do të ndahet midis tyre me pjesë të barabarta. »
B. Zhvillimi i së drejtës së fëmjëve « të lindur jashtë martese »
27. Regjimi i trashëgimisë së fëmijëve të paligjshëm është modifikuar nga ligji i vitit 1972 mbi trashëgiminë e pasardhësve, që sanksionoi barazinë e tyre në trashëgimi me një përjashtim që përbëhet nga situata e fëmijës « së lindur nga kurorëshkelja » (Mazurek, i lartcituar, § 17), e drejta e këtij të fundit kufizohet me « gjysmën e pjesës e cila [do t’i takonte] nëse të gjithë fëmijët e të vdekurit, duke përfshirë atë vetë, do të kishin qenë « të ligjshëm » (shih nenet e dikurshme 757 dhe 760 të kodit civil ibidem ; shih, gjithashtu, për dhurimet, paragrafi 26 më lart).
28. I futur pas vendimit Mazurek, ligji i 2001-shit zhduk kufizimet për të drejtat e trashëgimisë së fëmijëve « të lindur nga kurorëshkelja » dhe sanksionon barazinë në trashëgimi midis të gjithë fëmijëve legjitimë, thjesht të paligjshëm, ose « të lindur nga kurorëshkelja ». Neni i tij 1 thotë se ai « nuk bën dallim midis pasardhësve të ligjshëm dhe pasardhësve të paligjshëm për të përcaktuar prindërit nga duhej të trashëgonin » (neni 733 i kodit civil) dhe se « fëmijët ose pasardhësit e tyre trashëgojnë nga nëna dhe babai i tyre ose nga paraardhës të tjerë, pa dallim seksi, as si fëmijë i parë, edhe pse kanë dalë nga bashkime të ndryshme » (neni 735 i kodit civil). Tekstet që regullonin kufizimin apo reduktimin e rezervës së trashëguar të fëmijës së lindur « jashtë martese » dhe aftësinë e tij për të përfituar nga dhurimet janë abroguar » . Më në fund, rregullorja no 2005-759 e 4 korrikut 2005 që reformon trashëgiminë e pasardhësve sanksionon parimin e barazisë midis pasardhësve, duke zhdukur vetë nocionet fëmijë i ligjshëm e fëmijë i paligjshëm.
C. Dispozitat kalimtare
1. Dispozitat kalimtare të ligjit 1972
29. Këto dispozita kufizojnë shtrirjen e reformës së bërë nga ligji i vitit 1972. Neni 14 i tij kishte përjashtuar çdo zbatim të menjëhershëm të të drejtave të reja të trashëgimisë së fëmijës së paligjshëm të thjeshtë apo të lindur nga « kurorëshkelja », në trashëgimitë e hapura para se të hynte ky ligj në fuqi, dhe e kishte penguar këtë fëmijë të vinte në dyshim dhurimet midis të gjallëve të bëra para hyrjes në fuqi të nenit, në 1 gusht1972. Në bazë të kësaj dispozite gjykata e apelit të Montpellier-së ka hedhur poshtë padinë e kërkuesit (paragrafi 20 më lart).
2. Neni 25 i ligjit të 2001-shit
30. Sipas nenit 25-I të ligjit të 2001-shit, në parim, hyrja në fuqi e ligjit u shty për 1 korrik 2002. Sidoqoftë, meqë bëhej fjalë për abrogim të dispozitave të kodit civil që lidhen me të drejtat e fëmijëve « të lindur nga kurorëshkelja », ligjëvënësi ka vendosur, përjashtimisht, një rregull të hyrjes në fuqi të menjëhershme në datën e publikimit të ligjit në Gazetën zyrtare d.m.th. në 4 dhjetor 2001. Kështu neni 25-II thotë që :
« Ky ligj do të jetë i zbatueshëm për trashëgimitë e hapura duke filluar nga [1 korrik 202] me përjashtimet e mëposhtme: (...)
2o Me përjashtim të rasteve të marrëveshjeve me mirëkuptim të bëra tashmë dhe të vendimeve gjyqësore të pakthyeshme, do të jenë të zbatueshme për trashëgimitë e hapura në datën e publikimit të këtij ligji në gazetën zyrtare të Republikës franceze që nuk e kanë bërë ndarjen para kësaj date :
- dispozitat që lidhen me të drejtat e reja e trashëgimisë së fëmijëve të paligjshëm, babai ose nëna e të cilëve ka qenë, gjatë kohës së konceptimit, i lidhur ne martesë ; (...) »
31. Meqë ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve « të lindur nga kurorëshkelja », ligji i 2001-shit është i prirur të zbatohet në të gjitha trashëgimitë e hapura në 4 dhjetor 2001, me kusht që të mos jetë bërë ndarja para kësaj date.
3. Ligji i 23 qershorit 2006 që do të sjellë reformën e trashëgimisë dhe të dhurimeve.
32. Ky ligj ka modifikuar nenin 25-II të ligjit të 2001-shit duke abroguar termat « nëna dhe babai i të cilit, në kohën e konceptimit, janë lidhur me martesë ». Neni 25-II 2o nuk përmban më asnjë referencë për karakterin e paligjshëm të pasardhësve.
4. Jurisprudenca përkatëse e Gjykatës së kasacionit
33. Me një vendim të 6 janarit 2004 (1re Civ, Bull. 2004, I, no 10), Gjykata e kasacionit ka zbatuar dispozitat kalimtare të ligjit 2001, pa iu referuar dispozitave të Konventës, për të anuluar një vendim të apelit të 2002-shit që kishte anuluar dhurimet e bëra për një fëmijë « të lindur jashtë martese » duke zbatuar tekstet e vjetra ndërsa trashëgimia nuk ishte ndarë. Në një vendim të 7 qershorit 2006 (1re Civ, Bull. 2006, I, no 297), duke zbatuar gjithashtu dispozita kalimtare, gjykata e kasacionit ka hedhur poshtë kërkesën e formuluar nga një fëmijë « jashtë martese » i cili kishte marrë një pjesë të barabartë me gjysmën e asaj që do të kishte marrë nëse do të kishte qenë i ligjshëm, meqë ndarja kishte ndodhur para 4 dhjetorit 2001 (në këtë rast në 13 mars 1996). Në një vendim të 15 majit 2008, Gjykata e kasacionit ka gjykuar se dispozitat e ligjit të 2001-shit që lidhen me të drejtat e reja të fëmijëve të lindur « jashtë martese » ishin të zbatueshme në një trashëgimi të hapur para 1 gushtit 1972 (në këtë rast në vitin 1962) përderisa ndarja nuk ishte bërë para 4 dhjetorit 2001 (1re Civ, Bull. 2008, I, no 139).
III. ELEMENTET E TË DREJTËS SË KRAHASUAR
34. Në shumicën dërmuese të vendeve të studiuara (dyzet shtete nga dyzet e dy), statusi i fëmijës në fushën e trashëgimisë është i pavarur nga situata martesore e prindërve të tij. Njëzet e një vende i japin të njëjtën status të gjithë fëmijëve, ndërsa nëntëmbëdhjetë të tjerë (Shqipëri, Azerbajxhan, Bosnje-Hercegovinë, Qipro, Spanjë, Greqi, Itali, Letoni, Luksemburg, Republika e Moldavisë, Monako, Mal i Zi, San Marino, Sërbi, Slovaki, Sloveni, Mbretëri e Bashkuar, Turqi dhe Ukrainë) bëjnë një dallim midis fëmijëve të ligjshëm dhe fëmijëve të paligjshëm, por u japin atyre shprehimisht një barazi në fushën e trashëgimisë. Nocioni fëmijë « jashtë martese » është shumë pak i përhapur, meqë këta fëmijë përgjithësisht asimilohen me fëmijët e paligjshëm. Disa dallime midis fëmijëve të ligjshëm dhe të paligjshëm/ të lindur jashtë martese në fushën e trashëgimisë janë shuar në Maltë. I vetmi vend palë që bën ende një dallim të qartë në fushën e trashëgimisë ndërmjet fëmijëve të lindur jashtë martese është Andora, ku këta të fundit janë më pak të favorizuar se fëmijët e ligjshëm.
IV. DOKUMENTET DHE JURISPRUDENCA EVROPIANE PËRKATËSE
35. Grupi i raportuesve të Komitetit të Ministrave GR-J) po ndjek shqyrtimin e projekt-rekomandimit[CM/Rec (2012)] për shtetet anëtare mbi të drejtat dhe statusin juridik të fëmijëve dhe përgjegjësitë prindërore (me paraqitjen e arsyeve) që i është paraqitur Komitetit të Ministrave. Projekt rekomandimi synon të zëvendësojë normat e vjetruara të Konventës evropiane të 1975-ës mbi statusin juridik të fëmijëve të lindur jashtë martese (Konventë që Franca nuk e ka ratifikuar) që nuk pajtohen me jurisprudencën e Gjykatës. Në situatën aktuale të tekstit, ai përmban një element qendror që është parimi i mosdiskriminimit të shprehur në parimin 1 që thotë :
« Fëmijët nuk do të duhej të bëheshin objekt i asnjë diskriminimi të bazuar në arsye të tilla si (...) lindja (...)
Fëmijët nuk duhej, veçanërisht, të bëheshin objekt i asnjë diskriminimi të bazuar në gjendjen civile të prindërve të tyre. »
Nga ana tjetër, parimi 5 « e drejta e trashëgimisë » thotë se me përjashtim të rastit të përkufizimit të prindërve të dhënë në parimin 2 dhe të parimit 17.2 (lindje post mortem), « fëmijët duhej, pavarësisht nga rrethanat e lindjes së tyre, të kishin të gjitha të drejtat e trashëgimisë mbi pasuritë e secilit prej prindërve të tyre dhe familjeve të këtyre të fundit. »
Paragrafi përkatës i dokumentit të arsyeve është hartuar kështu :
« 22. Duke marë parasysh parimin e përgjithshëm të mosdiskriminimit ashtu si shprehet në parimin 1 dhe në vendimet e Gjykatës në çështjen Mazurek kundër France, Camp dhe Bourimi kundër Vendeve të Ulëta dhe Marckx kundër Belgjikës, të cilat dolën në përfundimin respektivisht se diskriminimi ndaj fëmijëve të lindur nga marrëdhënie jashtëmartesore ose nga shkelja e kurorës në fushën e të drejtave së trashëgimisë përbën një shkelje të nenit 14 të Konventës Evropiane të të drejtave të Njeriut, të kombinuar me nenin 1 të Protokollit të parë në çështjen e parë dhe në nenin 8 në çështjen e dytë, parimi 5 tregon, në terma të përgjithshëm, se fëmijët duhej të kishin të drejta të barabarta trahëgimie , pavarësisht nga rrethanat e lindjes së tyre. Në këtë drejtim, ky parim ka një zbatim më të gjerë se neni 9 i Konventës evropiane të të drejtave të njeriut të 1975-ës mbi statusin juridik të fëmijëve të lindur jashtë martese, i cili u jep këtyre fëmijëve të njëjtat të drejta trashëgimie si atyre të lindur nga martesa. Parimi 5 i përmbahet përkufizimit të prindërve të dhënë në parimin 2. »
REFERIMI I SË DREJTËS
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 14 TË KONVENTËS TË KOMBINUAR ME NENIN 1 TË PROTOKOLLIT No 1
36. Kërkuesi ankohet për pamundësinë për të ushtruar të drejtat e tij të trashëgimisë si fëmijë « jashtë martese » dhe denoncon vazhdimin e një diskriminimi të pajustifikuar pas vendimit Mazurek dhe pavarësisht miratimit të ligjit të 2001-shit.
Ai pretendon se është shkelur neni 14 i Konventës kombinuar me nenin 1 të Protokollit no 1, të cilët lexohen respektivisht kështu :
Neni 14
« Gëzimi i të drejtave dhe lirive të njohura në (...) Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim, bazuar veçanërisht mbi (...) lindjen (...) »
Neni 1 i Protokollit no 1
« Çdo person fizik ose moral gëzon të drejtën e respektimit të pasurive të tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij veçse për shkaqe të dobisë publike dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Dispozitat e mësipërme nuk e cenojnë të drejtën që kanë shtetet për të vënë në fuqi ligjet që i gjykojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në pajtueshmëri me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagesën e taksave apo kontributeve të tjera apo gjobave. »
A. Vendim i dhomës.
37. Në vendim e saj të 21 korrikut 2011, dhoma çmoi se ankesa e kërkuesit hynte në fushën e zbatimit të nenit 1 të Protokollit no 1, çka mjaftonte për ta bërë nenin 14 të Konventës së zbatueshëm. Në fakt, për shkak të njohjes si pasardhës nga linja amësore në vitin 1983, kërkuesi dispononte një interes, të sanksionueshëm para gjykatave të brendshme, për të gëzuar të drejtat mbi pasurinë e nënës së tij në përputhje me nenin 14 të Konventës (paragrafët 38-42 të vendimit të dhomës.)
38. Mbi themelin, dhoma ka vërrejtur se ligjet e vitit 1972 dhe vitit 2001 kishin përgatitur dispozita kalimtare për sa i përket zbatimit të të drejtave të reja mbi trashëgiminë të cilat ato do t’i miratonin. Ajo vuri në dukje se gjykatat e brendshme kishin vërrejtur se kërkuesi nuk mund të përfitonte prej tyre në momentin e ngritjes së padisë për reduktim të dhurim-ndarjes të vitit 1970. Në fakt, sipas gjykatës së apelit, dispozita kalimtare e ligjit të 1972-shit përjashtonte vënie në dyshim të dhurimeve të bëra midis të gjallëve para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Gjykata e kasacionit, nga ana e saj, kishte gjykuar se realizimi i ndarjes së trashëgimisë me vdekjen e nënës në vitin 1994 përbënte një situatë që pengonte, sipas nenit 25-II të ligjit të vitit 2001, zbatimin e dispozitave të reja që sanksionojnë barazinë në trashëgimi. Këto interpretime të së drejtës së brendshme ndjekin qëllimin legjitim për të garantuar parimin e sigurisë juridike dhe të drejtat e fituara qysh prej shumë kohësh nga fëmijët e ligjshëm; për më tepër, ato nuk duken të paarsyeshme, arbitrare ose në kontradiktë të hapur me ndalimin e diskriminimit. Dhoma ka dalluar situatën specifike të këtij rasti nga çështjet në të cilat ndarja e trashëgimisë nuk ka qenë realizuar ende. (Mazurek, e lartcituar, dhe Merger e Cros kundër Francës, no 68864/01, 22 dhjetor 2004) për të mbërritur në përfundimin se trajtimi i diferencuar i çështjes është në përputhje me qëllimin e ndjekur dhe se nuk ka pasur shkelje të 14 të Konventës të kombinuar me nenin 1 të Protokollit no 1 (paragrafët 50-59 e vendimit të dhomës).
B. Argumentet e palëve
1. Qeveria
a) Mbi zbatueshmërinë e nenit 14 të Konventës
39. Qeveria pretendon se faktet e denoncuara nga kërkuesi nuk bien nën autoritetin e nenit 1 të Protokollit no 1, çka e bën nenin 14 të Konventës të pazbatueshëm. Në këtë drejtim ajo vëren se dhurim-ndarja e vitit 1970 ka kryer një transferim pronësie të pasurive te dy fëmijët legjitimë dhe ka vendosur një situatë juridike të pranuar që e ka penguar kërkuesin të përfitojë nga trashëgimia. As ligji i 1972-shit, as ai i vitit 2001 nuk kanë çuar në realizimin e trashëgimisë së pjesës mbi të cilën ai do të kishte të drejtë nëse akti i vitit 1970 nuk do të kishte ekzistuar. Ndryshe nga çështjet Mazurek dhe Merger dhe Cros, në të cilat kërkuesit e kanë fituar automatikisht të drejtat e trashhëguara pas vdekjes së prindit, trashëgimia në këtë rast është rregulluar në vitin 1970 para vdekjes së nënës së kërkuesit. Për më tepër, kjo ndarje e pasurisë ka ndodhur shumë vite më parë se vërtetimi i bijësisë në vitin 1983. Që nga ky moment, sipas Qeverisë, i interesuari nuk kishte asnjë të drejtë trashëgimie mbi këtë pasuri. (shih, mutatis mutandis, Alboize-Barthes dhe Alboize-Montezume kundër Francës (vendim), no 44421/04, 21 tetor 2008).
b) Mbi themelin
40. Sipas asaj çka është nënvizuar para dhomës, Qeveria, pretendon se kërkuesi nuk është « përjashtuar » nga trashëgimia e së ëmës, por se përderisa ai kishte përfituar tashmë nga pasuria e kësaj të fundit në kuadrin e dhurim-ndarjes të vitit 1970, ai nuk mund të merrte pjesën e trashëgimisë që do t’i takonte sipas ligjit 1972 dhe 2001 në mungesë të një akti të tillë. Kështu, nuk janë vendimet juridiksionale në fjalë që e kanë penguar kërkuesin të përfitojë nga trashëgimia e së ëmës, por një akt i mëparshëm i transferimit të pronësinë duke vendosur një status juridik të pranuar.
41. Këto të drejta të fituara nga trashëgimtarët e tjerë që ligjëvënësi i 2001-shit, duke iu përgjigjur në fund të fundit plotësisht detyrimeve me karakter të përgjithshëm që i kishte për detyrë për të zbatuar vendimin Mazurek, i ka mbajtur parasysh duke përgatitur hyrjen në fuqi të ligjit. Zbatimi i ligjit të ri në situata të mëparshme duhej detyrimisht të mbante parasysh parimet e sigurisë juridike dhe të parashikueshmërisë së ligjit të sanksionuara nga jurisprudenca e Gjykatës. Neni 25 i ligjit të vitit 2001 ka përjashtuar zbatimin e të drejtave të reja mbi trashëgimitë të hapura në datën e publikimit të tij duke e bërë ndarjen para kësaj date. Për mendimin e Qeverisë, në këto kushte, interpretimi i bërë nga Gjykata e kasacionit nuk është në kundërshtim me vendimin Mazurek. Ndryshe nga ky i fundit dhe nga çështja Merger dhe Cros, në të cilat kërkuesit kanë kontestuar statuset që ende nuk ishin fituar në momentin e paraqitjes së ankimimit të tyre të brendshëm, padija për reduktim e ndërmarrë nga kërkuesi në vitin 1998 synonte të vinte në pikëpyetje situatën e ndarjes tashmë të realizuar.
42. Qeveria pranon se një vendim që përfundon me shkeljen e Konventës mund të çonte në masa të përgjithshme ndaj shtetit të paditur dhe të kishte një rëndësi që shkon përtej çështjes që ka të bëjë me palët para Gjykatës. Për këtë, ajo pohon se Gjykata nuk e ka njohur kurrë efektin prapaveprues të vendimeve të saj. Të thuash se vendimi Mazurek duhej zbatuar në këtë çështje, d.m.th. në një situatë juridike të pranuar përfundimisht para shpalljes së tij, dhe se duhej të kishte një efekt prapaveprues, do t’ia hiqte gjithë rëndësinë nenit 46 të Konventës.
2. Kërkuesi
a) Mbi zbatueshmërinë e nenit 14 të Konventës
43. Kërkuesi nuk bën vërejtje shtesë para Dhomës së Madhe për ato që janë bërë para dhomës që të jenë në kundërshtim me Qeverisë për këtë pikë (paragrafi 37 i vendimit të dhomës). Ai çmon se njohja si bir i së ëmës në vitin 1983 i jepte të drejta trashëgimie në çeljen e trashëgimisë të nënës së tij- ende e parealizuar- ditën e nisjes se kërkesës së tij- të cilat hyjnë në fushën e zbatimit të nenit 1 të Protokollit no 1.
b) Mbi themelin
44. Sipas kërkuesit, efektiviteti i nenit 14 të Konventës duhet të garantohet dhe vetëm arsye « shumë të forta » mund të çojnë ta gjykosh në pajtueshmëri me Konventën një dallim të bazuar mbi lindjen. Sigurimi juridik nuk është as një e drejtë e garantuar nga Konventa as një kauzë me dobi publike që mund të justifikojë një cenim të respektimit të pasurisë nën optikën e nenit 1 të Protokollit no1 1.
45. Ajo çka mund të tolerohej në vitin 1972, në emër të konceptit të sigurisë juridike, për të bërë të pavlefshëm parimin e mosdikriminimit të garantuar nga neni 14, nuk mund të tolerohet më pas vendimit Mazurek. Përkundrazi, kërkuesi nënvizon se të drejtat e fituara padrejtësisht nuk duhet të sigurohen ose garantohen nga dispozitat kalimtare të ligjit të 2001-shit, i cili duhet t’i japë fund shkeljes së konstatuar në këtë vendim. Ai mendon se duke riparuar dëmin e shkaktuar Z. Mazurek, Gjykata ka refuzuar të sigurojë situatat juridike që i paraprijnë vendimit të vet. Kërkuesi mendon se mosnjohja e forcës detyruese të vendimit Mazurek duhet të kontastohet në këtë rast dhe të sanksionohet. Të dalësh në një përfundim tjetër do të ishte njëlloj si të pranoje se një Shtet duke miratuar një legjislacion që duhet t’i nxjerrë përfundimet nga jurisprudenca e Gjykatës, ka një afat të papërcaktuar për transpozimin e vendimeve të kësaj të fundit, me qëllim që të merret në këtë rast vetëm me trashëgimitë e ardhshme, dhe të mund kështu të vlerësojë a posteriori shkeljet e vërtetuara të Konventës. Kërkuesi denoncon ruajtjen e një diskriminimi që ruan efektet e ligjit të vitit 1972 të sanksionuar nga Gjykata dhe të mohuar në frymën e tij nga ligjvënësi i 2001-shit.
46. Ai nënvizon gjithashtu se padia për reduktim që ai ka ndërmarrë në vitin 1998 nuk kishte marrë zgjidhje kur u publikua ligji i 2001-shit, çka duhej të sillte të drejtën për të gëzuar të drejta të reja që u jepen fëmijëve « të lindur jashtë martese ». Për rrjedhojë ai gjykon se për shkak të kësaj causae pendentiae, trashëgimia e nënës së tij nuk mund të ndahej përfundimisht veçse po ta bënte padinë për reduktim të dhurim- ndarjes një mjet ankimi inefikas.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Mbi zbatueshmërinë e nenit 14 të Konventës
a) Parimet e përgjithshme
47. Sipas një jurisprudence të qëndrueshme të Gjykatës, neni 14 i Konventës plotëson klauzolat e tjera normative të Konventës dhe të Protokolleve. Ai nuk ka një ekzistencë të pavarur, përderisa vlen vetëm për « gëzimin e të drejtave dhe lirive » që ato garantojnë. Sigurisht, ai mund të hyjë në veprim edhe kur nuk anashkalohen kërkesat e tyre dhe, në këtë rast ai ka një veprim autonom, por ai mund të zbatohet vetëm nëse faktet e çështjes nuk bien në fushën e veprimit të një prej këtyre klauzolave (shih, ndërmjet shumë çështjesh të tjera, Van Raalte c. Pays‑Bas, 21 shkurt 1997, § 33, Përmbledhje të vendimeve e gjykimeve 1997‑I ; Petrovic kundër Autstrisë, 27 mars 1998, § 22, Përmbledhje 1998‑II ; Zarb Adami kundër Maltës, no 17209/02, § 42, CEDH 2006‑VIII, dhe Konstantin Markin kundër Rusisë [GC], no 30078/06, § 124, CEDH 2012 (ekstrate).
b) Mbi çështjen nëse faktet e rastit bien në sferën e veprimit të nenit 1 të Protokollit no 1
48. Në këtë çështje, është mirë të përcaktohet nëse ankesa e kërkuesit, lidhur me pamundësinë për të përfituar nga të drejtat e trashëgimisë me anë të padisë për reduktim të dhurim-ndarjes të bërë nga e ëma duke mos pranuar pjesën e tij të rezervës, bie në fushën e veprimit, d.m.th. të zbatimit të nenit 1 të Protokollit no 1.
49. Gjykata kujton se nocioni « i pasurisë » i përmendur në pjesën e parë të kësaj dispozite ka një rol autonom që nuk kufizohet me pronësinë mbi objektet materiale dhe që është e pavarur nga cilësimet formale të së drejtës së brendshme : disa të drejta të tjera dhe interesa që përbëjnë asete mund të quhen si « të drejta pasurore» dhe « pasuri » për qëllimet e kësaj dispozite (Beyeler kundër Italie [GC], no 33202/96, § 100, GjEDNJ 2000‑I).
50. Neni1 i Protokollit no 1 nuk garanton të drejtën për të fituar prona (Slivenko dhe të tjerë kundër Lettonsë (vendim.) [GC], no 48321/99, § 121, GjEDNJ 2002-II (ekstrate), dhe Ališić dhe të tjerë kundër Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Sërbisë, Slovenisë dhe ish Republiken jugosllave të Maqedonisë (vendim.), no 60642/08, § 52, 17 tetor 2011), në veçanti përmes trashëgimisë ab intestat ose të dhurimeve (shih, mutatis mutandis, Marckx, i lartpërmendur, § 50, dhe Merger dhe Cros, i lartpërmendur, § 37). Megjithatë, « prona» mund të mbulojë si « prona aktuale » ashtu edhe vlera financiare, duke përfshirë kredi, sipas të cilave kërkuesi mund të pretendojë se ka të paktën « një pritshmëri legjitime » për të gëzuar efektivisht të një të drejte pronësie (shih, midis të tjerave, Pressos Companía Naviera S.A. dhe të tjerë kundër Belgjikës, 20 nëntor 1995, § 31, seria A no 332 ; Kopecký kundër Slovakisë [GC], no 44912/98, § 35, GJEDNJ 2004-IX, dhe Association nationale des pupilles de la Nation kundër Francës (vendim.), no 22718/08, 6 octobre 2009). Pritshmëria legjitime duhet të mbështetet në një « bazë të mjaftueshme në të drejtën e brendshme » (shih Kopecký, i lartpërmendur, § 52 ; Depalle kundër Francës [GC], no 34044/02, § 63, GjEDNJ 2010, dhe Saghinadze dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë, no 18768/05, § 103, 27 maj 2010). Po kështu, nocioni i « aseteve» mund të shtrihet në një shërbim të dhënë të interesuarve të cilët janë privuar nën një kusht dhënieje diskriminues (Andrejeva kundër Letonisë [GC], no 55707/00, § 79, GjEDNj 2009). Përkundrazi, shpresa për të njohur një të drejtë të vjetër pronësie që ka qenë prej kohësh e pamundur për t’u ushtruar efektivisht nuk mund të konsiderohet si « një pasuri » në kuptimin e nenit 1 të Protokollit no 1, dhe ndodh po kështu me një kredi me kusht që anulohet për shkak të mosrealizimit të kushtit (shih për kujtesë parimet përkatëse në Malhous kundër Republikës çeke (vend. [GC], no 33071/96, GjEDNj 2000-XII, me referenca që pasojnë jurisprudencën e Komisionit ; shih gjithashtu Prince Hans-Adam II i Lishtenshteinit kundër Gjermanisë [GC], no 42527/98, § 85, GjEDNj 2001‑VIII ; Nerva dhe të tjerë kundër. Mbretërisë së Bashkuar no 42295/98, § 43, GjEDNj 2002‑VIII ; Stretch kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 44277/98, § 32, 24 qershor 2003).
51. Në çdo çështje, është e rëndësishme të shqyrtohet nëse rrethanat, e para në tërësi, e kanë bërë kërkuesin titullar të një interesi substancial të mbrojtur nga neni 1 i Protokollit no 1 (Bozcaada Kimisis Teodoku Rum Ortodoks Kilisesi Vakfi kundër Turqisë, nos 37639/03, 37655/03, 26736/04 dhe 42670/04, § 41, 3 mars 2009 ; Depalle, i lartpërmendur, § 62 ; Plalam S.P.A kundër Italisë (themeli), no 16021/02, § 37, 18 maj 2010, dhe Di Marco kundër Italisë (themeli), no 32521/05, § 50, 26 prill 2011). Në këtë optikë, Gjykata mendon se është me vend të mbajë parasysh elementë të së drejtës dhe të faktit si më poshtë.
52. Në këtë rast, Gjykata vë në dukje se vetëm duke shqyrtuar karakterin « jashtëmartesor » të lindjes së tij kërkuesit i është kundërshtuar e drejta për reduktim të dhurim-ndarjes të bërë nga e ëma, meqë ky cilësim i lindjes së tij ka qenë burim i vendimit të Gjykatës së kasacionit- duke interpretuar kështu dispozitat kalimtare të ligjit të 2001-shit- për të mos lejuar zbatimin e dispozitave që lidhen me të drejtat e reja të trashëgimisë të njohura nga ky ligj. Mirëpo, në rastet kur, si në këtë çështje, një kërkues formulon në terrenin e nenit 14 të kombinuar me nenin 1 të Protokollit no 1 një ankesë sipas të cilës ai është privuar, pjesërisht ose tërësisht për një arsye diskriminuese të parashikur në nenin 14, nga një vlerë pasurore, kriteri përkatës kërkon të zbulojë nëse, në mungesë të kësaj arsyeje diskriminuese, i interesuari do të kishte një të drejtë, të sanksionueshme nga gjykatat e brendshme, mbi këtë vlerë pasurore (shih, mutatis mutandis, Stec dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (vendim.) [GC], nos 65731/01 dhe 65900/01, § 55, CEDH 2005‑X ; Andrejeva, i lartpërmendur, § 79). Kështu ndodh në këtë rast.
53. Qeveria thotë se kërkuesi nuk mund të pretendojë për asnjë të drejtë trashëgimore mbi dhurim-ndarjen e vitit 1970 sepse kjo e fundit do të kishte shpërndarë menjëherë dhe në mënyrë të pakthyeshme, pasurinë e së ëmës dhe kjo ishte bërë para konstatimit gjyqësor të tij si bir i saj (paragrafi 39 më lart). Gjykata gjithsesi nuk mund ta pranojë këtë argument. Ajo vë në dukje se nëse dhurim- ndarja ka për ndikim të menjëhershëm të realizojë një transferim të pronësisë, sipas jurisprudencës së Gjykatës së Kasacionit, ai shndërrohet në ndarje trashëgimie vetëm kur vdes dhuruesi. Trashëgimia është njëkohësisht e çelur dhe e likuiduar ose ndarë përfundimisht ditën e vdekjes së parardhësit (paragrafi 24 më lart), që në këtë rast ka ndodhur në vitin 1994. Nga ana tjetër, në këtë datë, ishte vërtetuar bijësia e kërkuesit. Pra, për shkak të natyrës « jashtë martesor » të lindjes së tij, kërkuesi është shmangur nga trashëgimia e nënës së tij.
54. Në këtë drejtim, kjo çështje afrohet me çështjet Mazurek dhe Merger e Cros të lartcituara, dhe dallohet nga çështja Alboize-Barthes dhe Alboize-Montezume kundër Francës (e lartpërmendut), në të cilën është vendosur që rregullimi i trashëgimisë së babait të kërkuesve, që ka ndodhur në vitin 1955 e pra, shumë më para vërtetimit të bijësisë, i pengonte ata të kishin të drejta trashëgimie mbi trashëgiminë de cujus dhe të pretendonin se ishin titullarë të një « pasurie ».
55. Nga kjo rrjedh se interesat pasurore të kërkuesit hyjnë në fushën e zbatimit të nenit 1 të Protokollit no 1 , çka mjafton për ta bërë të zbatueshëm nenin 14 të Konventës.
a) Parime të përgjithshme
56. Gjykata kujton se gëzimi i të drejtave dhe dhurimeve të njohura nga Konventa, neni 14 ndalon të trajtohen në mënyrë të ndryshme, me përjashtim të justifikimit objektiv dhe të arsyeshëm, persona të ndodhur në situata të ngjashme. Sipas kësaj dispozite, një dallim është diskriminues nëse « nuk ka justifikim objektiv dhe të arsyeshëm », d.m.th. nëse nuk ndjek një « qëllim legjitim » ose nëse nuk ka « raport të arsyeshëm proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar » (Mazurek, i lartpërmendur, §§ 46 dhe 48). Nga ana tjetër, Shtetet kontraktuese gëzojnë një farë hapësire vlerësimi për të përcaktuar nëse dhe në çmasë ndryshime midis situatash në drejtime të tjera analoge justifikojnë ndryshime në trajtim. (Stec dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nos 65731/01 dhe 65900/01, §§ 51 dhe 52, GJEDNJ 2006‑VI). Shtrirja e kësaj hapësire vlerësimi ndryshon sipas rrethanave, fushave dhe kontekstit, por i përket Gjykatës të vendosë në instancë të fundit për respektimin e kërkesave të Konventës. Meqë kjo e fundit është para së gjithash një mekanizëm mbrojtës i të drejtave të njeriut, Gjykata duhet megjithatë të mbajë parasysh evoluimin e situatës në shtetet kontraktuese dhe të reagojë, për shembull, ndaj konsensusit që duhet të spikasë arritjen e standardeve (Konstantin Markin, i lartpërmendur, § 126).
57. Sipas një jurisprudence konstante qysh prej vendimit Marckx, i lartpërmendur, dallimi i vendosur në fushën e trashëgimisë midis fëmijëve « të paligjshëm » dhe fëmijëve « të ligjshëm » shtron problemin nën këndvështrimin e nenit 8 të Konventës të marrë veçmas (Johnston dhe të tjerës kundër Irlandës, 18 dhjetor 1986, seria A no 112) si dhe nën atë të nenit 14 të Konventës të kombinuara me nenet 8 (Vermeire kundër Belgjikës, 29 nëntor 1991, seria A no 214‑C ; Brauer kundër Gjermanisë, no 3545/04, 28 maj 2009) dhe 1 të Protokollit no 1 (Inze kundër Austrisë, 28 tetor 1987, seria A no 126 ; Mazurek, i lartpërmendur, dhe Merger dhe Cros, i lartpërmendur). Gjykata e ka shtrirë këtë jurisprudencë për dhurimet duke konfirmuar ndalimin e diskriminimit në fushën testamentare (Pla dhe Puncernau kundër Andorës, no 69498/01, GJEDNJ 2004‑VIII). Kështu, që nga viti 1979, në vendimin Marckx, Gjykata pohonte papajtueshmërinë me Konventën të kufizimeve të të drejtave të trashëgimisë së fëmijëve bazuar mbi lindjen. Ajo ka riafirmuar pareshtur këtë parim themelor, duke e ngritur ndalimin e diskriminimit të bazuar në karakterin « natyror » të lidhjes prindërore në normë të mbrojtjes së rendit publik evropian.
58. Gjykata kujton gjithashtu se pikëpamja e përgjithshme midis vendeve anëtare të Këshillit për sa i përket trajtimit të barabartë midis fëmijëve të dalë nga martesa dhe fëmijëve të lindur jashtë martese është vendosur qysh prej shumë kohësh, çka ka çuar sot në uniformitetin e legjislacioneve kombëtare në këtë fushë- meqë parimi i i barazisë bën të zhduken edhe vetë nocionet fëmijë ligjshëm dhe fëmijë i paligjshëm- si dhe në një evoluim shoqëror e juridik që konfirmon përfundimisht objektivin e barazisë midis fëmijëve (paragrafët 28, 34 dhe 35 si më lart).
59. Pra, vetëm arsye shumë të forta, mund të çojnë që të vlerësohet në pajtueshmëri me Konventën një dallim i bazuar në lindjen jashtë martese (Inze, i latpërmendur, § 41 ; Camp dhe Bourimi kundër Vendeve të Ulëta, no 28369/95, § 38, GJEDNJ 2000‑X, dhe Brauer, i lartpërmendur, § 40).
60. Gjykatës, në parim, nuk i kërkohet, të rregullojë mosmarrëveshje thjesht private. Kështu, në ushtrimin e kontrollit evropian që është detyrë e saj, ajo nuk do të mund të qëndronte pasive kur interpretimi i bërë nga një gjykatë kombëtare i një akti juridik, lidhur me një klauzolë testamentare, një kontratë private, një dokument publik, një dispozitë ligjore ose një praktikë administrative, duket si i paarsyeshëm, arbitrar ose në kontradiktë të hapur me ndalimin e diskriminimit që është vendosur në nenin 14 dhe më gjerësisht me parimet që nënkupton Konventa (Larkos kundër Qipros [GC], no 29515/95, §§ 30‑31, GJEDNJ 1999-I ; Pla dhe Puncernau, i lartpërmendur, § 59, dhe Karaman kundër Turqisë, no 6489/03, § 30, 15 janar 2008).
b) Zbatimi në këtë rast
i. Mbi ekzistencën e një trajtimi të diferencuar të bazuar në lindjen jashtë martese.
61. Në këtë rast, askush nuk e kundërshton faktin se kërkuesi është privuar nga një pjesë e rezervës së trashëguar dhe është vënë përfundimisht në një situatë të ndryshme nga ajo e fëmiijëve legjitimë për sa i përet trashëgimisë nga e ëma. Në fakt, ai është penguar të marrë reduktimin e dhurim-ndarjes nga i cili ishte përjashtuar dhe një pjesë të rezervës për shkak të statusit të tij si fëmijë i lindur « nga shkelja e kurorës ».
62. Ky ndryshim në trajtim midis kërkuesit dhe vëllait dhe motrës së tij me nënë, rezulton nga neni 25-II i ligjit të 2001-shit që vë si kusht për zbatimin e të drejtave të reja të trashëgimisë të fëmijëve « të lindur jashtë martese » në trashëgimitë e hapura para 4 dhjetorit 2001 faktin se nuk kanë çuar në ndarjen e trashëgimisë para kësaj date. (paragrafi 30 më lart). Nga ana tjetër, duke interpretuar dispozitën kalimtare përkatëse, Gjykata e kasacionit ka vlerësuar se ndarja e trashëgimisë ka ndodhur në vitin 1994, në momentin e vdekjes së nënës së kërkuesit (paragrafi 23 më sipër), duke ndjekur për këtë një jurisprudencë të mëparshme sipas të cilës në fushën e dhurim-ndarjes, trashëgimia është njëkohësisht e hapur dhe e ndarë për shkak të vdekjes së dhuruesit (paragrafi 24 si më lart). Një fëmijë legjitim, i përjashtuar nga dhurim-ndarja ose që ende nuk është konceptuar gjatë këtij të fundit, nuk do te pengohej për të marrë rezervën ose pjesën e tij të trashëgimisë sipas neneve 1077-1 dhe 1077-2 të kodit civil (paragrafi 25 më lart). Pra, nuk kontestohet se trajtimi i diferencuar që ka pësuar kërkuesi ka për arsye kryesore lindjen e tij jashtë martese.
63. Gjykata kujton se roli i saj nuk është të shprehet mbi interpretimin më korrekt të legjislacionit të brendshëm, por të gjejë nëse mënyra se si ky legjislacion është zbatuar ka shkelur të drejtat që kërkuesit ia garanton neni 14 i Konventës (shih, ndër shumë të tjera dhe mutatis mutandis, Padovani kundër Italisë, 26 shkurt 1993, § 24, seria A no 257-B, dhe Pla e Puncernau, i lartpërmendur, § 46). Në këtë rast, Gjykatës i kërkohet të vendosë nëse trajtimi i diferencuar i kontestuar, që buron nga një dispozitë e ligjit të brendshëm, kishte një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm.
ii. Mbi justifikimin e trajtimit të diferencuar
α) Mbi ndjekjen e një qëllimi legjitim
64. Qeveria nuk parashtron më asnjë justifikim për diskriminimin midis fëmijëve legjitimë dhe atyre të lindur « jashtë martese ». Gjykata konstaton se në fakt Shteti francez ka pranuar të modifikojë legjislacionin pas vendimit Mazurek, të lartpërmendur, dhe e ka reformuar të drejtën e trashëgimisë duke shfuqizuar tërësinë e dispozitave diskriminuese ndaj fëmijës « së lindur jashtë martese » më pak se dy vjet pas shpalljes së vendimit. Nga ana tjetër, ajo çmon se ka vepruar mirë që ka pajtuar të drejtën franceze me parimin për mosdiskriminim të Konventës.
65. Gjithsesi, sipas Qeverisë, nuk ishte e mundur të cenoheshin të drejtat e fituara nga të tretët, në këtë rast nga trashëgimtarët e tjerë, dhe kjo ka justifikuar kufizimin e efektit prapaveprues të ligjit të 2001-shit vetëm për trashëgimitë që janë çelur në datën e publikimit të tij dhe nuk kanë realizuar ndarjen e trashëgimisë në këtë datë. Dispozitat kalimtare kështu, do të ishin rregulluar për të garantuar paqen e familjeve duke siguruar të drejtat e fituara të përfituesve të trashëgimive tashmë të ndara.
66. Gjykata nuk është e bindur se mohimi i të drejtave të trashëgimisë të një apo shumë anëtarëve të saj mund të kontribuojë për të përforcuar paqen në gjirin e një familjeje. Nga ana tjetër, ajo pranon se mbrojtja e të drejtave të fituara mund t’u shërbejë interesave të sigurisë juridike, vlerë e nënkuptuar e Konventës (Brumărescu kundër Rumanisë [GC], no 28342/95, § 61, GJEDNJ 1999-VII ; Beian kundër Rumanisë (no 1), no 30658/05, § 39, GJEDNJ 2007‑V (ekstrate) ; Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë [GC], no 13279/05, §§ 56-57, 20 tetor 2011 ; Albu dhe të tjerë kundër Rumanisë, no 34796/09 dhe në vijim, § 34, 10 maj 2012). Kështu, lidhur me trashëgiminë e pranuar nga një fëmijë « i lindur jashtë martese » në hapjen e kësaj të fundit, në vitin 1993, dhe të likuiduar në vitin 1996, Gjykata ka gjykuar tashmë se mospranueshmëria e padisë e vendosur nga Gjykata e Kasacionit me arsyen se trashëgimia është bërë tashmë objekt i ndarjes- çka nuk i lejonte atij të përfitonte nga të drejtat e reja në zbatim të dispozitave kalimtare të ligjit të 2001-shit – ishte në pajtueshmëri me parimin e sigurisë juridike ashtu si përmendet në vendimin Marckx. Në fakt, « nuk mund të kërkohet që institucioni gjyqësor të anulojë një ndarje të pranuar lirisht para një vendimi të Gjykatës të ndërmarrë pas kësaj ndarjeje » (E.S. kundër Francës (vendim), no 49714/06, 10 shkurt 2009). Gjykata ka arritur në përfundimin se shqetësimi për të siguruar stabilitetin e rregullimeve trashëgimore të përfunduara, i cili ishte shqetësimi kryesor në sytë e ligjvënësit dhe të gjykatësit që merrej me këtë çështje, përbën qëllimin legjitim që mund të justifikojë trajtimin e diferencuar për të cilin bëhet fjalë në këtë rast. Gjithsesi ky i fundit duhet të jetë proporcional në raport me qëllimin.
β) Mbi proporcionalitetin midis mjeteve të përdoruara dhe qëllimit të ndjekur.
67. Gjykata vëren se në këtë rast, pavarësisht padisë për reduktim të parashikuar nga ligji, vëllai dhe motra me nënë e kërkuesit kanë fituar të drejtat e trashëgimisë nga veprimi i dhurim –ndarjes të vitit 1970, meqë ky i fundit ka kryer ndarjen e trashëgimisë me vdekjen e Znj. M., që ka ndodhur në korrik të vitit 1994. Kjo rrethanë lejon të dallohet kjo çështje nga çështjet Mazurek dhe Merger dhe Cros, të lartpërmendura, ku ndarja e trashëgimisë nuk ishte realizuar ende.
68. Megjithatë, Gjykata kujton se « mbrojtja e « besimit » të de cujus dhe të familjes duhet të renditet pas detyrimit për barazi në trajtimin midis fëmijëve të lindur jashtë martese dhe fëmijëve të dalë nga martesa » (Brauer, i lartpërmendur, § 43). Në këtë drejtim, ajo gjykon se vëllai dhe motra me nënë të kërkuesit e dinin – ose duhej ta kishin ditur – se të drejtat e tyre mund të viheshin në dyshim.
Në fakt, në kohën e vdekjes së nënës së tyre në vitin 1994, ligji parashikonte një afat prej pesë vjetësh për të ushtruar të drejtën për një padi për reduktim të dhurim-ndarjes. Trashëgimtarët legjitimë duhej ta dinin pra se vëllai i tyre me nënë mund të kërkonte pjesën e tij të trashëgimisë deri në vitin 1999 dhe se kjo padi mund të rivinte në dyshim, jo ndarjen si të tillë, por shtrirjen e të drejtave të secilit pasardhës. Nga ana tjetër, padia për reduktim që kërkuesi kishte ndërmarrë më në fund në vitin 1998 nuk ishte gjykuar para gjykatave kombëtare në çastin e shpalljes së vendimit Mazurek, që deklaronte të papajtueshëm me Konventën një pabarazi të trashëgimisë të bazuar në lindjen jashtë martese, dhe të publikimit të ligjit të 2001-shit, i cili i jepte zbatim këtij vendimi duke përfshirë në të drejtën franceze parimet që ishin afirmuar aty. Së fundi, kërkuesi nuk ishte një pasardhës ekzistencën e të cilit ata nuk e dinin, sepse ai ishte njohur si bir jolegjitim i nënës së tyre nga një vendim i dhënë në vitin 1983 (paragrafi 12 më lart ; shih, mutatis mutandis, Camp dhe Bourimi, i lartcituar, § 39). Kjo do të mjaftonte të ushqente dyshime të justifikuara mbi realitetin e ndarjes së trashëgimisë të realizuar nga vdekja e Znj. M. në vitin 1994 (shih përfundimet e avokatit të përgjithshëm, paragrafi 22 më sipër).
69. Mbi këtë pikë të fundit, Gjykata vëren se, sipas Qeverisë, specifika e dhurim-ndarjes pengonte një vënie në dyshim të çfardoshme të një situate juridike ekzistuese, në këtë rast ndarja e pasurive e kryer në vitin 1970 dhe e bërë përfundimtare në vdekjen e de cujus, pavarësisht ankimit juridiksional në vazhdim (paragrafët 40 dhe 41 më sipër. Kërkuesi i kundërvihet kësaj teze (paragrafi 46 më sipër). Në rrethanat e veçanta të këtij rasti, ku jurisprudenca evropiane dhe reformat legjislative kombëtare do të tregonin një prirje të qartë drejt heqjes së çdo diskriminimi të fëmijëve të lindur jashtë martese për sa i përket të drejtave të tyre trashëgimore, Gjykata çmon se ankimi i bërë nga kërkuesi në vitin 1998 para gjykatësit kombëtar dhe e hedhur poshtë nga ky i fundit në vitin 2007 rëndon shumë shqyrtimin e proporcionalitetit të trajtimit të diferencuar (shih paragrafët 22 dhe 68 më lart, dhe paragrafi 72 më lart). Fakti që ky ankim ka qenë ende i pagjykuar në vitin 2001 duhej, në fakt, ta relativizonte pritshmërinë e trashëgimtarëve të tjerë të Znj. M. për të pasur të drejta të pakontestueshme mbi trashëgiminë e kësaj të fundit.
70. Kështu, në dritën e asaj që është thënë më lart, Gjykata mendon se qëllimi legjitim i mbrojtjes së të drejtave të trashëgimisë së vëllait dhe motrës më nënë të kërkuesit nuk ka një peshë të tillë që të dalë mbi pretendimin e kërkuesit për të marrë një pjesë të trashëgimisë së nënës së tij.
71. Nga ana tjetër, duket se, edhe në sytë e autoriteteve kombëtare, pritshmëritë e trashëgimtarëve që kanë përfituar nga dhurim-ndarja nuk duhen mbrojtur në çdo rrethanë. Në fakt, nëse e njëjta e drejtë për padi për reduktim të dhurim-ndarjes do të ishte ushtruar në të njëjtën kohë nga një tjetër fëmijë legjitim, i lindur pas ndarjes ose i përjashtuar me vullnet të plotë nga ndarja, ky qëllim për mospranim të padisë nuk do t’i kundërvihej.
72. Në këtë drejtim, Gjykata gjykon si të kontestueshëm faktin se në vitin 2007, vite pas vendimeve Marckx dhe Mazurek të lartpërmendur, gjykatësi kombëtar ka mundur ta përshtasë ndryshe mbrojtjen e sigurisë juridike sipas faktit nëse ajo i kundërvihet një fëmijë të ligjshëm apo një fëmijë të « lindur jashtë martese ». Ajo vëren gjithashtu se Gjykata e kasacionit nuk i është përgjigjur ankimit kryesor të përmendur nga kërkuesi dhe të cituar në njohjen e parimit të mosdiskriminimit ashtu si garantohet në nenin 14 të Konventës. Mirëpo, ajo ka gjykuar tashmë se gjykatat duhet të shqyrtojnë me rigorozitet mjetet që kanë të bëjnë me të « drejtat dhe liritë » e garantuara nga Konventa për të cilat atyre u janë drejtuar dhe se bëhet fjalë për një pasojë logjike të parimit të subsidiaritetit (Wagner dhe J.M.W.L. kundër Luksemburgut, no 76240/01, § 96, 28 qershor 2007, dhe Magnin kundër Francës (vendim), no 26219/08, 10 maj 2012).
γ) Përfundim
73. Në dritën e gjithë këtyre konsideratave, Gjykata arrin në përfundimin se nuk ekziston një raport i arsyeshëm proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të ndjekur. Trajtimi i diferencuar të cilin kërkuesi e bën objekt nuk kishte, pra, justifikim objektiv dhe të arsyeshëm. Kështu, ka pasur një shkelje të nenit 14 të Konventës të kombinuar me nenin 1 të Protokollit no 1.
74. Ky përfundim nuk vë në dyshim të drejtën e shteteve për të parashikuar dispozita kalimtare kur miratojnë një reformë legjislative me qëllim që të përmbushin detyrimet e tyre që burojnë nga neni 46 § 1 iKonventës (shihr, për shembull, Antoni kundër Republikës çeke, no 18010/06, 25 nëntor 2010 ; Shoqëria e gazit dhe naftës Primagaz kundër Francës, no 29613/08, § 18, 21 dhjetor 2010 ; Mork kundër Gjermanisë, nos 31047/04 dhe 43386/08, §§ 28 deri 30 dhe 54, 9 qershor 2011, dhe Taron kundër Gjermanisë (vendim.), no 53126/07, 29 maj 2012).
75. Sidoqoftë, nëse karakteri kryesisht juridik i vendimeve të Gjykatës i lë shtetit zgjedhjen e mjeteve për të zhdukur pasojat e shkeljes (Marckx, i lartpërmendur, § 58, dhe Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT kundër Zvicrës (no 2) [GC], no 32772/02, § 61, GJEDNJ 2009), ka vend për të kujtuar në të njëtën kohë se miratimi i masave të përgjithshme nënkupton për shtetin detyrimin për të parandaluar, me kujdes, shkelje të reja të ngjashme me ato të konstatuara në vendimet e Gjykatës (shih, për shembull, Salah kundër Vendeve të Ulëta, no 8196/02, § 77, GJEDNJ 2006‑IX (ekstrate)). Kjo sjell si pasojë detyrimin për gjykatësin kombëtar për të siguruar, në pajtueshmëri me rendin kushtetues dhe në respekt të parimit të sigurisë juridike, veprimin e plotë të normave të Konventës, ashtu siç interpretohen nga Gjykata. Por, nuk ka ndodhur kështu në këtë çështje.
II. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 14 TË KONVENTËS TË KOMBINUAR ME NENIN 8
76. Kërkuesi ankohet, për të njëjtat arsye si ato që përmenden më lart nën optikën e të drejtës për respektimin e pasurive të tij, për diskriminimin e pajustifikuar që cenon të drejtën e tij për respektimin e jetës së tij private dhe familjare të garantuar nga ligji 8 i Konventës, i cili thotë :
« 1. Çdo person ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare (...)
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën eparashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisëpublike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirivetë të tjerëve.»
A. Vendimi i dhomës
77. Nën shembullin e vendimit Mazurek, dhoma nuk ka çmuar të domosdoshme të marrë një vendim veçmas lidhur me këtë çështje, për mungesë argumentesh të dallueshme (paragrafi 60 i vendimit të dhomës)
B. Argumente të palëve
78. Kërkuesi nuk bën asnjë vërejtje mbi nenin 8 të Konventës.
79. Qeveria mendon kryesisht se nuk ka ndërhyrje në këtë rast. Çështjet e trashëgimive ab intestat mund të hyjnë në fushën e zbatimit të nenit 8 por ky i fundit nuk garanton të drejtën për trashëgimi. Mosvënia në dyshim e situatës juridike të fituar në vitin 1970 nuk është një ndërhyrje në të drejtën e kërkuesit për respektimin e jetës së tij familjare.
80. Nëse sidoqoftë Gjykata duhej të mendonte se ka pasur ndërhyrje, kjo e fundit ishte e parashikuar nga ligji, në këtë rast ligji i vitit 1972 që ndalonte ushtrimin e të drejtave të përfituesve të rezervës në dëm të dhurimeve të bëra para vitit 1972. Ajo ndjek qëllimin legjitim, d.m.th. për të garantuar një farë paqeje në raportet familjare, duke siguruar të drejta të fituara qysh prej shumë kohësh. Duke u mbështetur në vendimin Marckx, Qeveria mendon se do të ishte kundër parimit të sigurisë juridike anulimi i një ndarjeje të realizuar shumë vite (ligji i 1972-shit) d.m.th. shumë dekada (ligji i 2001-shit) para ndryshimeve legjislative dhe të jurisprudencës që kanë modifikuar rregullat e trashëgimisë së fëmijëve « jashtë martese ». Kjo ndërhyrje ishte në fund të fundit proporcionale sepse zbatimi i dispozitave të kontestuara nga gjykatat kombëtare ka një shtrirje të kufizuar në kohë dhe për sa i përket lirive në fjalë. Qeveria ka treguar se dispozitat kalimtare, ashtu siç interpretohen nga gjykatat kombëtare janë në pajtueshmërinë me vendimin Mazurek dhe Konventën Ligji i 2001-shit në veçanti parashikon një zbatim në kohë të dispozitave të reja që mbajnë parasysh situatat e fituara vënia në dyshim e të cilave nuk duket e pranueshme në planin shoqëror dhe e realizueshme në këtë rast. Ajo thekson hapësirën e vlerësimit që disponon shteti për të balancuar interesat në konflikt.
C. Vendimi i Gjykatës
81. Duke pasur parasysh përfundimet në të cilat ka arritur nga këndvështrimi i nenit 14 të Konventës të kombinuar me nenin 1 të Protokollit no 1 (paragrafi 73 më sipër), Gjykata mendon se nuk është e domosdoshme të shqyrtohet veçmas nëse ka pasur shkelje të kësaj dispozite të lexuar së bashku me nenin 8 të Konventës. .
III. MBI ZBATIMIN E NENIT 14 TË KONVENTËS
82. Sipas nenit 14 të Konventës,
« Nëse Gjykata deklaron se ka pasur shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë kontraktuese mundëson vetëm ndreqje të pjesshme të kësaj shkeljeje, Gjykata i jep palës së dëmtuar, nëse është rasti, një shpërblimi të paanshëm.
83. Kërkuesi kërkon shumën prej 128 550,75 EUR që i përkon shumës së pjesës së trashëgimisë që do t’i takonte nëse do të ishte trajtuar si i barabartë me vëllain dhe motrën e tij me nënë, të shtuar me interesat ligjorë. Kërkuesi kërkon gjithashtu dëmshpërblim për dëmin moral që ai e çmon me shifrën 30 000 EUR. Së fundi, kërkuesi i çon deri në shumën 20 946 EUR shpenzimet dhe kostot e bëra për gjykatat e brendshme dhe për Gjykatën.
84. Qeveria çmon se konstatimi i shkeljes do të përbënte një ndreqje adekuate të dëmit material që ka pësuar kërkuesi. Për sa i përket dëmit moral, një dëmshpërblim monetar do të ishte vetëm simbolik. Sa për shpenzimet dhe kostot, Qeveria mendon se kërkuesit mund t’i jepej shuma e përgjithshme prej 10 000 EUR.
85. Në rrethanat e çështjes, Gjykata mendon se çështja e zbatimit të nenit 41 të Konventës nuk shtrohet. Për rrjedhojë, ka vend për ta lënë plotësisht mënjanë dhe për të caktuar procedurën e mëpasshme duke mbajtur parasysh një marrëveshje të mundshme midis shtetit të akuzuar dhe kërkuesit (neni 75 § 1 i rregullores). Me këtë qëllim, Gjykata u jep palëve një afat prej tre muajsh.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NË UNANIMITET,
1. Thotë se ka një shkelje të nenit 14 të Konventës të kombinuar me nenin 1 të Protokollit no 1 ;
2. Thotë se nuk ka vend për të shqyrtuar veçmas ankesën që i referohet nenit 14 të Konventës të kombinuar me nenin 8 ;
3. Thotë se çështja e zbatimit të nenit 41 të Konventës nuk shtrohet ;
për rrjedhojë ,
a) rezerva e plotë ;
b) e fton qeverinë dhe kërkuesin t’i drejtojë me shkrim, në afatin prej tre muajsh duke filluar nga data e njoftimit të këtij vendimi, vërejtjet e tyre mbi këtë çështje dhe veçanërisht ta njoftojë për çdo marrëveshje që mund të arrijnë;
c) rezervon procedurën e mëpasshme dhe i delegon Kryetarit të Dhomës së Madhe detyrën për ta caktuar atë në rast nevoje.
Bërë në Frëngjisht dhe në anglisht, më pas e shpallur në seancë publike në Pallatin e të drejtave të njeriut, në Strasburg, në 7 shkurt 2013.
Johan CalleëaertJosep Casadevall
zv/ sekretar Kryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në pajtueshmëri me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores, paraqitja e opinioneve të veçuara si më poshtë :
– opinioni pajtues i gjykatësit Popović, të cilit i bashkohet gjyqtari Gyulumyan ;
– opinioni pajtues i gjyqtarit Pinto de Albuquerque.
J.C.M.
J.C.
Opinionet e veçuara nuk janë përkthyer, por gjenden në anglisht dhe / ose frëngjisht në versionin e gjuhës (ve) zyrtare të gjykimit dhe mund të konsultohen nëbazën e të dhënave të çështjeve ligjore HUDOC të Gjykatës.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy