© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA FERNÁNDEZ MARTÍNEZ kundër SPANJËS
(Kërkesë no 56030/07)
VENDIM
[Ekstrate]
STRASBURG
12 qershor 2014
Ky vendim është përfundimtar. Ai mund të pësojë përmirësime vetëm në formë.
Në çështjen Fernández Martínez kundër Spanjës,
Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut,që u mblodh në një Dhomë të Madhe të përbërë nga :
Dean Spielmann, kryetar
Guido Raimondi,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Ján Šikuta,
George Nicolaou,
András Sajó,
Ann Power-Forde,
Işıl Karakaş,
Angelika Nußberger,
André Potocki,
Paul Lemmens,
Helena Jäderblom,
Valeriu Griţco,
Faris Vehabović,
Dmitry Dedov, gjyqtarë,
Alejandro Saiz Arnaiz, gjyqtar ad hoc,
dhe Johan Callewaert, ndihmës sekretar i Dhomës së Madhe ,
Pasi ka diskutuar në dhomën e këshillit në 30 janar 2013 dhe më 2 prill 2014,
Dha këtë vendim,të miratuar në datën e fundit :
PROCEDURA
1. Kjo çështje nis me një kërkesë (no 56030/07) drejtuar kundër Mbretërisë së Spanjës; një shtetas i saj, M. José Antonio Fernández Martínez (« kërkuesi »), i është drejtuar Gjykatës në 11 dhjetor 2007 në bazë të nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesi, i cili ka përfituar nga asistenca gjyqësore, është përfaqësuar nga avokati J.L. Mazón Costa, që ushtron profesionin në Murcie. Qeveria spanjolle (« Qeveria ») është përfaqësuar nga agjentët e saj Z. Blasco Lozano, Z. F. Irurzun Montoro dhe F. de A. Sanz Gandasegui, avokatë të Shtetit.
3. Duke u bazuar në nenin 8, të marrë veçmas dhe të kombinuar me nenin 14, kërkuesi mendonte se mospërsëritja e kontratës së tij si profesor i fesë dhe moralit katolik në një gjimnaz publik përbënte një ndërhyrje të pajustifikuar në ushtrimin e të drejtës së tij për jetë private. Ai pretendonte se bërja publike e gjendjes së tij familjare dhe personale si prift i martuar kishte qenë shkak për mospërsëritjen e kontratës, gjë që sipas tij binte ndesh me të drejtat për liri mendimi dhe liri shprehjeje që burojnë nga nenet 9 dhe 10 të Konventës.
4. Në 13 tetor 2009, kërkesa iu komunikua Qeverisë.
5. Pas dorëheqjes së Luis López Guerra, gjykatës i zgjedhur si gjyqtar i Spanjës, Qeveria ka caktuar Alejandro Saiz Arnaiz në cilësinë e gjykatësit ad hoc (nenet 27 § 2 të Konventës, atëherë në fuqi dhe 29 § 1 i rregullores së Gjyktës).
6. Seanca u zhvillua në publik në Pallatin e të drejtave të njeriut, në Strasburg, në 22 nëntor 2011 (neni 59 § 3 i rregullores).
7. Në 15 maj 2012, një dhomë e seksionit të tretë e përbërë nga Josep Casadevall, kryetar, Corneliu Bîrsan, Alvina Gyulumyan, Egbert Myjer, Ineta Ziemele, Mihai Poalelungi, gjykatës, Alejandro Saiz Arnaiz, gjyqtar ad hoc, si dhe Santiago Quesada, sekretar seksioni, ka dhënë një vendim[1] në të cilin vendoste, me gjashtë vota pro dhe një votë kundër, për jo-shkelje të nenit 8 § 1 të Konventës.
8. Në 18 korrik 2012, kërkuesi ka kërkuar dërgimin e çështjes para Dhomës së Madhe në bazë të nenit 43 të Konventës dhe nenit 73 të rregullores, duke pretenduar se ka shkelje të nenit 8 § 1. Në 24 shtator 2012, kolegji i Dhomës së Madhe e ka pranuar këtë kërkesë.
9. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në pajtueshmëri me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24 të rregullores.
10. Kërkuesi dhe Qeveria kanë depozituar memot para Dhomës së Madhe. Vërejtjet i janë përcjellë gjithashtu Konferencës ipeshkvnore spanjolle (CEE), Qendrës evropiane për të drejtën dhe drejtësinë (ECLJ), si dhe Katedrës së të drejtës së besimeve të Universitetit katolik të Louvain dhe të American Religious Freedom Program të Ethics and Public Policy Center, që kryetari i ka autorizuar të ndërhyjnë në procedurën e shkruar (nent 36 § 2 të Konventës dhe 44 § 3 të rregullores).
11. Në 30 janar 2013 u zhvillua një seancë në publik në Pallatin e të drejtave të njeriut, në Strasburg (neni 59 § 3 i rregullores).
U paraqitën :
– për Qeverinë
M.F.A. Sanz Gandasegui, agjent ;
– për kërkuesin
Avokati J.L. Mazón Costa,
Avokati E. Martínez Segado,këshilltarë.
Në seancë u paraqit gjithashtu edhe kërkuesi.
Gjykata ka dëgjuar avokatët Mazón Costa dhe Martínez Segado, si dhe Z. Sanz Gandasegui, në deklarimet dhe përgjigjet e tyre për pyetjet e bëra nga gjyqtarët.
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Situata e kërkuesit, punësimi i tij dhe mospërsëritja e kontratës.
12. Kërkuesi ka lindur në 1937 dhe banon në Cieza. Ai është i martuar dhe ka pesë fëmijë.
13. Ai u shugurua prift në 1961. Në 1984, kërkoi pranë Vatikanit të përjashtohej nga detyrimi i beqarisë. Në atë kohë, ai nuk mori përgjigje. Një vit më pas, ai bëri një martesë civile. Bëri pesë fëmijë me gruan që vazhdon të jetë bashkëshortja e tij. Palët nuk kanë dhënë saktësime mbi situatën e tij si prift që nuk ka përfituar një leje për martesë. 14. Duke filluar nga tetori 1991, kërkuesi jep mësim mbi fenë dhe moralin katolik në një gjimnaz publik të rrethit të Murcie- së, në bazë të një kontrate pune vjetore të rinovueshme. Sipas dispozitave të Marrëveshjes së përfunduar në 1979 midis Spanjës dhe Selisë së Shenjtë, « mësimdhënia e fesë bëhet nga persona që, çdo vit shkollor, autoriteti administrativ i përzgjedh, ndërmjet atyre të propozuar nga drejtuesi i dioqezës » (...) Sipas një vendimi ministror i vitit 1982, « ky emërim ka një karakter vjetor dhe është i rinovueshëm automatikisht, me përjashtim të rastit kur drejtuesi i dioqezës ka mendim të kundërt para fillimit të vitit shkollor dhe kur administrata, për arsye akademike dhe disiplinore serioze, mendon se është e domosdoshme të anulohet emërimi dhe në këtë rast dëgjohet mendimi i autoritetit kishtar » (paragrafi 51 më poshtë). Përveç kësaj, neni VII i Marrëveshjes thotë si më poshtë: « Në të gjitha nivelet e edukimit, trajtimi për mësuesit e fesë katolike që nuk i përkasin stafit të mësuesve të shtetit përcaktohet nga marrëveshja midis administratës qendrore dhe Konferencës ipeshkvnore spanjolle me qëllim që të zbatohet që me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes » (...)
15. Në nëntor 1996, gazeta La Verdad e Murcie-së i kushtoi « Lëvizjes pro-beqarisë fakultative» të priftërinjve (MOCEOP) një artikull ku lexohej si më poshtë :
« Manastiri i La Luz i ndalon priftërinjtë e martuar të përdorin lokalet e tij për meshën
Një përfaqësues i dioqezës ka shpjeguar se karakteri protestues i grupimit rrezikonte të prishte paqen e manastirit.
Z. DE LA VIEJA – MURCIE
At Francisco Tomás, që drejton bashkësinë e fretërve të La Luz, në Murcie, nuk ka pranuar të futen në manastir rreth njëqind priftërinj të martuar që dëshironin të celebronin meshën aty dhe të kalonin ditën me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Francisco Tomás deklaroi se manastiri ishte një vend kulti privat dhe se priftërinjtë nuk kishin kërkuar lejen e duhur. Ai shtoi se, duke marrë parasysh moshën e shtyrë të fratit Manuel (tetëdhjetë vjeç), i vetmi murg banues në La Luz, e quante të papërshtatshme mbajtjen e një tubimi që rrezikonte paqen e manastirit për shkak të bërjes publike të manifestimit dhe të qëllimeve protestuese të « Lëvizjes pro-beqarisë fakultative».
Dje, Francisco Tomás, i deleguar ipeshkvnor i ngarkuar me trashëgiminë kulturore, nuk ka pranuar t’i lejojë anëtarët e « Lëvizjes pro-beqarisë fakultative» (moceop) të celebrojnë meshën brenda manastirit të La Luz, në El Valle. At Tomás shpjegoi se priftërinjtë e martuar nuk kishin marrë leje për të përdorur kishën e manastirit. Për më tepër, Lëvizja kishte për qëllim të përfitonte në maksimum nga kjo ditë për të mbajtur një mbledhje informuese mbi Kongresin e katërt ndërkombëtar të priftërinjve të martuar, të mbajtur në Brazilia në korrikun e kaluar dhe që kishte për temë : « Priftërinjtë e mijëvjeçarit të tretë ».
Francisco Tomás ka shpjeguar gjithashtu se një murg i vetëm, tetëdhjetëvjeçar, jetonte në manastir dhe s’e nuk ishte e udhës t’i prishej qetësia nga protesta që tërhiqnin vëmendjen e mediave mbi këtë vend kulti privat.
Nga ana e tij, koordinatori rajonal i Moceop, Pedro Sánchez González ka deklaruar se sigurisht kishin kërkuar leje, por Lëvizja nuk kishte marrë përgjigje dhe se ai nuk mendonte se një leje e tillë ishte e domosdoshme për mbajtjen e një meshe në një vend kulti.
Publiciteti që shtypi i kishte bërë këtij manifestimi i kishte shtyrë shumë anëtarë të Lëvizjes të mos merrnin pjesë në tubimin e La Luz. Të tjerë, duke parë portat e manastirit të mbyllura, thjesht u kanë bërë shenjë kolegëve të tyre pa dalë nga veturat dhe janë kthyer mbrapsht. Vetëm nja dhjetë priftërinj të shekullarizuar ndenjën në vend bashkë me familjet e tyre për t’u shpjeguar situatën e tyre mediave dhe personave të pranishëm. Disa nga fëmijët e tyre mbanin madje edhe një banderolë. Më në fund, ata kanë shkuar të drekojnë së bashku, me qëllim që ta mbanin meshën bashkë.
Lorenzo Vicente, Pedro Hernández Cano, Crisanto Hernández dhe José Antonio Fernández – ish drejtor i seminarit - bëjnë pjesë te priftërinjtë e martuar që janë mbledhur dje në La Luz për të mbrojtur beqarinë fakultative dhe për një Kishë më shumë demokratike sesa teokratike, në gjirin e së cilës laikët do të merrnin pjesë në zgjedhjen e priftit të famullisë së tyre dhe në zgjedhjen e peshkopit të tyre. Për ata, rregulla e beqarisë është shpikur nga Kisha dhe nuk ka natyrë hyjnore. Të interesuarit kanë shprehur gjithashtu kundërshtimin e tyre për disa çështje ekonomike : «Midis nesh, ata që kanë paguar kuotizacionet në fondin e sigurimit reciprok të klerit, i cili më pas integrohet në sistemin e sigurimit shoqëror, kanë humbur të gjitha të drejtat e tyre duke iu kthyer jetës laike. Nga ana tjetër, murgeshat janë në një situatë edhe më të keqe se priftërinjtë për shkak se ato ua dhurojnë pasuritë e tyre bashkësisë dhe humbin gjithçka », kanë deklaruar ata »
Artikulli përmbante gjithashtu shënimin e vënë në dukje si më poshtë me një titull tjetër :
« Edhe Papa nuk mendon se ne do të kalbemi në ferr për shkak të seksualitetit
Mbi çështje si ato të abortit, kontrollit të lindjeve, divorcit dhe seksualitetit Pedro Hernández Cano dhe miqtë e tij të Moceop janë shprehur në favor të një atësie të përgjegjshme.
Ata kanë shtuar se aborti ishte « një çështje personale dhe nuk [duhej] të ndalohej me ligj, por një strukturë shoqërore [ishte] e domosdoshme për të mbrojtur gratë përballë mëmësisë. Të stigmatizosh një grua si mëkatare sepse ajo mbetet shtatzënë jashtë lidhjes martesore vetëm sa e inkurajon abortin ». Priftërinjtë e martuar kanë nënvizuar se kontrolli i lindjeve ishte qartazi i domosdoshëm dhe për « rrjedhojë gjithkush duhet të ketë mundësinë të zgjedhë lirisht mjetet që i përshtaten më mirë ».
« Seksualiteti është një dhuratë e zotit dhe jo një mallkim, dhe vetë Papa nuk mendon se ai çon në ferr. Po të mendonte kështu ai nuk do t’i kishte lënë në pritje 6 000 kërkesat aktuale për shekullarizim », përfundojnë ata. »
16. Me një vendim të 20 gushtit 1997, Papa e pranoi kërkesën për përjashtim nga beqaria (celibati) që kërkuesi e kishte formuluar trembëdhjetë vjet më parë, duke saktësuar se i interesuari ishte i përjashtuar nga detyrimi i beqarisë dhe e humbte « statusin » klerikal. Të drejtat që shoqëronin këtë « status », si dhe nderimet dhe funksionet kishtare (dignitates dhe officia ecclesiastica në latinisht) i hiqeshin. Ai nuk kishte më detyrime që lidheshin me « statusin » klerikal. Vendimi papal nga ana tjetër tregonte se kërkuesi nuk mund të jepte mësime të fesë katolike në një shkollë publike, vetëm nëse peshkopi i vendit vendoste ndryshe për një institucion të nivelit më të ulët (in institutis autem studiorum gradus inferioris), « sipas vlerësimit të tij të kujdesshëm [prudenti iudicio] dhe me kusht që të mos bëhej skandal [remoto scandalo] ». Vendimi i papës iu njoftua kërkuesit në 15 shtator 1997.
17. Në 29 shtator 1997, një notë e peshkopit të Kartagjenës e informoi Ministrinë e Arsimit për ndërprerjen e funksioneve të mësimdhënies të kërkuesit në shkollën ku ai punonte.
18. Në 9 tetor 1997, ministria lajmëroi të interesuarin për ndërprerjen e funksioneve të tij që kishte hyrë në fuqi në 29 shtator 1997.
19. Më pas, në një notë zyrtare të 11 nëntorit 1997, peshkopi u shpreh sa më poshtë :
« [kërkuesi], prift i shekullarizuar, jepte mësime të fesë dhe moralit katolik (...) në bazë të kompetencave që u jepen peshkopëve me vendime papale (...)
Këto kompetenca (...) mund të zbatohen për mësimdhënien e disiplinave që lidhen me fenë katolike, me kusht që të mos ketë « rrezik për skandal».
Kur situata [e kërkuesit] u bë publike dhe e njohur, për peshkopin e dioqezës nuk ishte më e mundur të ushtronte kompetencat që i jepte vendimi papal ; për rrjedhojë, dokumenti i cili autorizonte [kërkuesin] për të dhënë mësime të fesë dhe moralit katolik nuk u nënshkrua, çka pati pasoja qysh në vitin shkollor në vazhdim. Gjendja personale dhe profesionale [e kërkuesit] gjithashtu është marrë parasysh, përderisa i interesuari do të ketë të drejtë për dëmshpërblim për papunësi gjatë të paktën një viti e gjysmë.
Peshkopit të Kartagjenës i vjen keq për gjendjen e krijuar por nënvizon se vendimi është marrë gjithashtu për të respektuar ndjeshmërinë e shumë prindërve që mund të mërziteshin kur të merrnin vesh gjendjen e [kërkuesit], i cili jepte mësime të fesë dhe moralit katolik në një institucion shkollor.
Së fundi, peshkopi shpreson se popullsia e krishterë dhe shoqëria në përgjithësi do ta kuptojnë se rrethanat që shoqërojnë faktet në fjalë nuk mund të vlerësohen vetëm nga pikëpamja profesionale. Për Kishën katolike, sakramenti i urdhrit priftëror ka një natyrë që e tejkalon kuadrin e ngushtë profesional.
20. Drejtori i gjimnazit ku kërkuesi jepte mësim i drejtoi peshkopit të Murcie-së një notë në të cilën këshilli i mësuesve të shkollës e njoftonte se e mbështesnin të interesuarin dhe deklaronte se ky i fundit kishte bërë mësim nga viti 1996-1997 dhe mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre , ashtu si dhe drejtoria e shkollës ishin shumë të kënaqur.
21. Në periudhën e parë, kërkuesi siguroi jetesën me dëmshpërblimet për papunësi. Në vitin 1999, ai gjeti punë në një muze ku punoi derisa doli në pension në vitin 2003.
B. Procedura gjyqësore
22. Pasi kundërshtoi pa sukses, në nivel administrativ, vendimin ministror që i jepte fund funksioneve të tij, kërkuesi iu drejtua një gjykate administrative me një ankim kundër kësaj mase. Ai u hodh poshtë në 30 qershor 2000, me arsyetimin se vendimi për të zyrtarizuar ndërprerjen e funksioneve të tij kishte qenë « i vetmi opsion që u ofrohej autoriteteve administrative » pas vendimit të peshkopatës për të mos e propozuar emërimin e tij.
23. Kërkuesi nisi më pas një procedurë për pushim abuziv nga puna para gjyqtarit të punës no 3 të Murcie-së. Ky i fundit dha vendimin[2] e tij në 28 shator 2000.
24. Gjyqtari nisi të shqyrtojë faktet ashtu si u parashtruan dhe zbuloi se kërkuesi ka pasur shumë poste në gjirin e Kishës katolike, si drejtor i seminari të Murcie-së dhe si vikar episkopal i rrethit të Cieza dhe Yelca. Përveç kësaj ai vuri në dukje se i interesuari ishte anëtar i MOCEOP.
25. Gjyqtari përmendi më pas argumentet e dhëna nga peshkopata për të justifikuar mospërsëritjen e kontratës së kërkuesit, d.m.th. faktin se ky i fundit e kishte bërë publike situatën e tij si « prift i martuar » (meqë i interesuari kishte marrë lejen nga Vatikani në 1997) dhe baba, që lidheshin me domosdoshmërinë për të shmangur skandalin dhe për të respektuar ndjeshmërinë e prindërve të nxënësve të gjimnazit, e cila rrezikonte të lëndohej nëse kërkuesi vazhdonte të jepte mësime të fesë dhe të moralit katolik. Në këtë drejtim, gjykatësi shprehet kështu :
« (...) Nga faktet e parashtruara del se Z. Fernández Martínez ka pësuar një diskriminim për shkak të gjendjes së tij civile dhe përkatësisë në Lëvizjen pro beqarisë (celibatit) fakultative, meqë shfaqja e tij në shtyp ka qenë në origjinë të pushimit të tij nga puna. »
26. Gjykatësi shtoi si vijon :
« Parimi i mosdiskriminimit në punë përfshin ndalimin e diskriminimit të bazuar në hyrjen në sindikatë dhe aktivitetin sindikal, çka vlen edhe për përkatësinë në çdo shoqatë tjetër. »
27. Së fundi, gjyqtari vuri në dukje se situata e kërkuesit si « prift i martuar » dhe si baba i fëmijëve njihej nga nxënësit, prindërit e tyre dhe drejtorët e dy shkollave ku kishte punuar.
28. Për rrjedhojë, gjyqtari pranoi ankimin e kërkuesit, anuloi atë çka ai e cilësonte pushim nga puna dhe e urdhëroi rrethin e Murcie-së ta rikthente të interesuarin në funksionet e tij të dikurshme dhe Shtetin t’i paguante rrogat e prapambetura. Ai e rrëzoi ankesën e kërkuesit për aq sa drejtohej kundër peshkopatës së Kartagjenës. .
29. Ministria e arsimit, departamenti i arsimit të rrethit të Murcie-së dhe Peshkopata e Kartagjenës apeluan (suplicación). Me një vendim[3] të 26 shkurtit 2001, Gjykata e Lartë e Drejtësisë së Murcie-së e pranoi ankimin, duke saktësuar si më poshtë :
« (...) Mësimdhënia [e fesë dhe e moralit katolik] hyn në doktrinën e fesë katolike (...) Pra, lidhja e krijuar [midis profesorit dhe peshkopit] mbështetet në mirëbesim. [Për këtë shkak,] nuk bëhet fjalë për një marrëdhënie juridike neutrale, si ajo që ekziston midis qytetarëve në përgjithësi dhe qeverisë. Është mirë që kjo lidhje të vendoset në kufirin midis dimensionit thjesht kishtar dhe fillimit të një marrëdhënieve pune. »
30. Nga ana tjetër, Gjykata iu referua prerogativave të peshkopit në këtë fushë dhe vuri në dukje se në këtë rast nuk ka pasur shkelje të nenit 14 (ndalim i diskriminimit), 18 (e drejta për respektim të jetës private dhe familjare) ose 20 (liri e shprehjes) të Kushtetutës spanjolle, përderisa kërkuesi kishte dhënë mësime feje që nga viti 1991, meqë peshkopi ia miratonte çdo vit vendin e punës ndërkohë që situata e tij personale ishte identike. Gjykata arriti në përfundimin se, kur kërkuesi kishte vendosur ta bënte publike këtë situatë, peshkopi ishte mjaftuar duke përdorur kompetencat që burojnë nga kodi i të drejtës kanunore, d.m.th. duke bërë kujdes që i interesuari si çdo person tjetër në të njëjtën situatë, të ushtronte funksionet e tij pa rënë në sy, duke shmangur që statusi i tij personal të jepte shkas për skandal. Sipas Gjykatës, në rastin kur kjo bëhej publike peshkopi duhej të mos e propozonte më të interesuarin në një post të tillë, në pajtueshmëri me kërkesat e parashikuara në vendimin papal për çlirimin nga detyrimi i beqarisë.
31. Përveç kësaj, kur bëhet fjalë veçanërisht për nenin 20 të Kushtetutës, Gjykata vëren se, në dritën e nenit 10 § 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kufizimet e të drejtave të kërkuesit duheshin konsideruar si legjitime dhe në proporcion me qëllimin e ndjekur, d.m.th. shmangien e skandalit.
32. Nga ana tjetër, Gjykata analizoi çështjen e mirëbesimit dhe arriti në përfundimin se :
« (...) Kur kjo marrëdhënie mirëbesimi prishet- dhe në këtë rast disa rrethana lejojnë të mendosh në mënyrë të arsyeshme se ky ishte një rast i tillë- peshkopi nuk është më i detyruar të propozojë [të interesuarin] në postin e profesorit të fesë dhe moralit katolik. »
33. Sa i përket më në fund, natyrës së kontratës, Gjykata çmoi se, përderisa përsëritja e kontratës i nënshtrohej miratimit vjetor të peshkopit për vitin shkollor në vijim, bëhej fjalë për një kontratë të përkohshme, e cila në këtë rast thjesht kishte përfunduar. Pra, nuk ishte e mundur të mendoje se kërkuesi kishte qenë objekt i një pushimi nga puna.
34. Duke përmendur nenet 14 (ndalim i diskriminimit),16 (liri e besimit dhe e mendimit), 18 (e drejta për respektim të jetës private dhe familjare) dhe 20 (liri e shprehjes) të Kushtetutës, kërkuesi formuloi një ankim të amparo-s pranë Gjykatës kushtetuese. Ai argumentoi veçanërisht se vendimi për të mos përsëritur kontratën me arsyen se e kishte bërë publike përkatësinë e tij në MOCEOP dhe opinionet e tij disidente mbi beqarinë (celibatin) e priftërinjve katolikë përbënte një ndërhyrje të pajustifikuar në jetën private dhe ishte e papajtueshme me të drejtën e tij për lirinë e besimit.
35. Me një vendim[4] të 30 janarit 2003, dhoma të cilës ju dha kjo çështje deklaroi se ankimi i amparo-s ishte i pranueshëm, në përshtatje me nenet 50 deri në 52 të ligjit organik mbi Gjykatën kushtetuese, ua bëri të ditur vendimin palëve dhe u kërkoi një kopje të dosjes gjykatave a quo.
36. Gjatë ndërhyrjes së detyrueshme para gjykatës kushtetuese, prokuroria (Ministerio Fiscal) u shpreh pro vendimit që e pranonte ankimin e amparo-s nga ana e kërkuesit. Nga kjo pikëpamje, ajo i kritikoi arsyet e parashtruara nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë, e cila kishte menduar se mospërsëritja e kontratës ishte e justifikuar përderisa i interesuari kishte vepruar në kundërshtim me vendimin papal për çlirim nga celibati kur kishte pranuar ta bënte publike situatën e tij familjare. Prokuroria vuri në dukje, në fakt, se shfaqja publike e kërkuesit në tubim kishte ndodhur shumë më parë se t’i jepej leja për çlirim nga celibati dhe për rrjedhojë, para ekzistencës së këtij vendimi papal. Ajo përmendi përveç kësaj se përkatësia e të interesuarit në lëvizjen e kontestuar ishte e njohur nga autoritetet klerikale. Prokuroria çmoi se, meqë sjellja e kërkuesit e cila e kishte justifikuar mospërsëritjen e kontratës për funksionet e tij- d.m.th. pjesëmarrja e tij në një manifestim të organizuar nga lëvizja – lidhej me lirinë e mendimit të të interesuarit, pushimi nga puna shqyrtohej si një shkelje e të drejtës së tij për barazi (neni 14 i Kushtetutës), i kombinuar me të drejtën e tij për lirinë e mendimit (neni 16 i Kushtetutës).
37. Me një vendim[5] të dhënë në 4 qershor 2007 dhe të njoftuar në 18 qershor 2007, Gjykata e lartë e rrëzoi ankimin e amparo-s.
38. Gjykata kushtetuese shqyrtoi fillimisht shkeljet e pretenduara të neneve 14 (e drejta për barazi) dhe 18 (e drejta për respektim të jetës private dhe familjare) të Kushtetutës dhe i hodhi poshtë ankesat e tij, të parën me arsyen se vendimi për të mos e propozuar emërimin e kërkuesit si mësues nuk mbështetej në asnjë qëllim për ta diskriminuar atë për gjendjen e tij civile dhe ankesën e dytë me arsyen se i interesuari me vullnetin e tij të plotë e kishte bërë publike si situatën e tij personale dhe familjare ashtu edhe përkatësinë e saj në MOCEOP.
39. Gjykata e lartë më pas trajtoi atë çka e konsideronte si çështje qendrore të ngritur nga ankimi i amparo-s, d.m.th. shkeljen e pretenduar të neneve 16 dhe 20 të Kushtetutës. Pra ajo kërkonte të zbulonte nëse faktet e kontestuara mund të justifikoheshin me lirinë e besimit të Kishës katolike
( neni 16 § 1 i Kushtetutës) në kombinim me detyrën për neutralitet fetar të Shtetit (neni 16 § 3 i Kushtetutës) ose, përkundrazi, nëse ata përbënin një cenim të së drejtës së kërkuesit për liri mendimi dhe besimi (neni 16 § 1 i Kushtetutës) në kombinim me të drejtën për liri shprehjeje (neni 20 § 1 a) i Kushtetutës). Për këtë qëllim, Gjykata u bazua në kriteret e vendosura në vendimin no 38/2007 të 15 shkurtit 2007 lidhur me kushtetutshmërinë e sistemit të seleksionimit dhe rekrutimit të profesorëve të fesë katolike në institucionet e arsimit publik. Ajo këmbënguli në këtë drejtim mbi statusin e veçantë të profesorëve të fesë në Spanjë, status që sipas saj justifikonte se zgjedhja e mësuesve të tillë mban parasysh bindjet e tyre fetare.
40. Nga kjo pikëpamje, Gjykata kushtetuese dha shpjegimet e mëposhtme :
« (...) detyra e Gjykatës kushtetuese qëndron, në këtë rast si dhe në raste të tjera që kanë të bëjnë me një konflikt midis të drejtave themelore me karakter material, në verifikimin e gjykatave [a quo] nëse ato i kanë vënë në balancë të drejtat që hyjnë në lojë në një mënyrë të tillë që reflekton përkufizimin kushtetues të këtyre të drejtave (...) Duke bërë këtë, Gjykata nuk mban përgjegjësi për shqyrtimin e realizuar tashmë nga gjykatat. Me fjalë të tjera, ajo nuk kufizohet me një shqyrtim të jashtëm të karakterit të mjaftueshëm dhe koherent të arsyeve të vendimit ose vendimeve në fjalë (...) ; si garant suprem i të drejtave themelore, ajo duhet të zgjidhë çdo konflikt të rastit midis të drejtave në fjalë dhe të përcaktojë nëse ka shkelje të këtyre të drejtave, në dritën e përmbajtjes së tyre kushtetuese. Për këtë qëllim, gjithsesi ka vend për të zbatuar kritere të ndryshme nga ato të përdorura nga gjykatat [a quo], sepse arsyetimi i bërë prej tyre nuk i krijon detyrime kësaj Gjykate dhe nuk e kufizon kompetencën e saj vetëm në një kontroll të thjeshtë të arsyeve të vendimeve të tyre (...) »
41. Duke shqyrtuar faktet e rastit gjykata e lartë filloi duke vënë në dukje se mospërsëritja e kontratës motivohej nga artikulli që kishte dalë në gazetën rajonale, i cili kishte shkaktuar një skandal sipas argumenteve të parashtruara nga peshkopata e Kartagjenës në notën e saj zyrtare të 11 nëntorit 1997. Ky artikull kishte bërë publike dy karakteristika personale të kërkuesit tashmë të njohura për peshkopatën, d.m.th. nga njëra anë situata familjare e priftit të martuar dhe baba dhe, nga ana tjetër, përkatësia e tij në një lëvizje që kontestonte disa mësime të Kishës Katolike. Bërja publike e këtyre karakteristikave përbënte bazën faktuale të asaj që peshkopi e kishte çmuar në notën e tij si përbërëse të skandalit.
42. Duke nënvizuar se Gjykata e lartë e drejtësisë kishte bërë një kontroll efektiv të vendimit të peshkopit, veçanërisht për sa i përket pamundësisë së këtij të fundit për të propozuar kandidatë pa kualifikimet profesionale të kërkuara për këtë post dhe për sa i përket detyrimit për të respektuar të drejtat themelore dhe liritë civile, Gjykata kushtetuese deklaroi si vijon :
« Ekstratet e gjata të vendimit të kontestuar tregojnë se Gjykata e lartë e drejtësisë nuk e ka shmangur mundësinë e një kontrolli juridiksional të vendimit të dhënë nga autoriteti klerika dhe se nuk ka ngurruar të bëjë një vënie në balancë të të drejtave themelore në konflikt në këtë çështje të veçantë dhe të së drejtës për liri besimi (neni 16 § 1 i Kushtetutës), punë që e ka kryer paekuivok. »
43. Gjykata kushtetuese atëherë vuri vetë në balancë të drejtat themelore që hyjnë në lojë:
« Pasi kishte shqyrtuar vënien në balancë të të drejtave në këtë çështje, të kryer nga vendimi i kontestuar, gjykata duhet tani të vlerësojë, përtej një arsyetimi të mbrojtur në këtë vendim[6], përfundimet e formuluara në të pas vlerësimit të të drejtave themelore në konkurrencë. Duke bërë këtë, Gjykata duhet jo vetëm të shqyrtojnë të drejtat e synuara në këtë vendim, por gjithashtu edhe të drejtën për liri mendimi dhe besimi, pikë që sipas detyrimit ajo e ka sjellë në vëmendje të palëve (...)
Vendimi i peshkopatës për të mos e propozuar të interesuarin si mësues të fesë dhe moralit katolik justifikohej nga veprimet dhe mendimet e këtij të fundit, d.m.th. se ai ka zbuluar publikisht, nga njëra anë situatën e tij si prift i martuar dhe baba i pesë fëmijëve dhe nga ana tjetër, përkatësinë e tij në Lëvizjen pro beqarisë (celibatit) fakultative (siç e tregojnë vendimet e gjykatave a quo edhe siç e pranon shprehimisht vetë autori i ankimit të amparo-s). Është e qartë se, nga pikëpamja (laike) e shtetit, këto veprime dhe mendime duhet të konsiderohen në këndvështrimin e një cenimi të mundshëm të së drejtës për liri mendimi dhe besimi (neni 16 § 1 i Kushtetutës) të kombinuar me të drejtën për liri shprehjeje (neni 20 § 1 a) i Kushtetutës), që janë përmendur në ankimin e amparo-s.
Për të zgjedhur këtë problem, nuk duhej harruar se asnjë e drejtë, as edhe një e drejtë themelore, nuk është absolute ose e pakufizuar. Në disa raste, dispozita kushtetuese që njeh një të drejtë e kufizon këtë të fundit shprehimisht ; në raste të tjera, kufizimi rrjedh nga nevoja për të ruajtur të drejta të tjera ose vlera kushtetuese që justifikojnë një mbrojtje. Nga kjo pikëpamje, Gjykata kushtetuese ka deklaruar shumë herë se të drejtat themelore të njohura nga Kushtetuta mund të tërhiqen vetëm para kufizimeve shprehimisht të parashikuara nga vetë Kushtetuta, ose para kufizimeve për të cilat mund të nxirret tërthorazi nga Kushtetuta se janë të justifikuara nga mbrojtja e të drejtave të tjera ose vlerave të mbrojtura nga ligji. Sidoqoftë, kufizimet e imponuara nuk mund të pengojnë në mënyrë të paarsyeshme ushtrimin e të drejtës themelore në fjalë. (shih vendimet e Gjykatës kushtetuese no 11/1981 e 8 prillit 1981, arsye juridike 7 ; no 2/1982 e 29 janarit 1982, arsye juridike 5 ; no 53/1986 e 5 majit 1986, arsye juridike 3 ; no 49/1995 e 19 qershorit 1995, arsye juridike 4 ; no 154/2002 e 18 korrikut 2002, arsye juridike 8 ; no 14/2003 e 28 janarit 2003, arsye juridike 5, dhe no 336/2005 e 20 dhjetorit 2005, arsye juridike 7).
Në këtë rast, cenimi i të drejtës së kërkuesit për liri besimi, në dimensionin individual, dhe të drejtës së tij për liri mendimi (neni16 § 1 i Kushtetutës), të kombinuara me të drejtën e lirisë së shprehjes (neni 20 § 1 a) i Kushtetutës), cenim që buron nga fakti se peshkopata nuk ka propozuar emërimin e të interesuarit si profesor feje dhe edukimi katolik për vitin shkollor 1997-1998 – ndërkohë që vetë kërkuesi dëshironte të vazhdonte t’u mësonte nxënësve parimin e një besimi fetar të veçantë në një institucion të arsimit publik- nuk ka qenë as i çproporcionuar as jokushtetues, sepse ai justifikohej me respektimin që kërkon ushtrimi i ligjshëm i të drejtës themelore të Kishës katolike për liri besimi në dimensionin kolektiv ose komunitar (neni 16 § 1 i Kushtetutës), e kombinuar me të drejtën e prindërve për të zgjedhur edukimin fetar të fëmijëve të tyre (neni 27 § 3 të Kushtetutës). Arsyet e vendimit për të mos e propozuar kërkuesin si mësues të fesë dhe moralit katolik ishin me natyrë vetëm fetare dhe lidheshin me rregullat e besimit të cilit i përket lirisht i interesuari dhe mësimet e të cilit ai kishte ndërmend t’ua mësonte nxënësve në institucionin arsimor publik. »
44. Gjykata kushtetuese i referohet vendimit të vet no 38/2007 të 15 shkurtit 2007 dhe vëren si më poshtë :
« Ashtu siç e ka deklaruar kjo Gjykatë në vendimin no 38/2007 të 15 shkurtit 2007 dhe siç e ka vënë në dukje në pikën 5 të arsyeve juridike të këtij vendimi, « do të ishte thjesht e paarsyeshme që, kur bëhet fjalë për mësimdhënien fetare në institucionet shkollore, të mos merreshin parasysh gjatë procesit të përzgjedhjes, si garanci e së drejtës për liri besimi në dimensionin e jashtëm dhe kolektiv, bindjet fetare të personave që vendosin lirisht të kandidojnë për postin e mësuesit » (...)
Sigurisht duhet nënvizuar, për sa i përket justifikimit dhe kushtetutshmërisë së cenimit ose të kufizimit të së drejtës themelore të kërkuesit për liri besimi dhe mendimi (neni16 § 1 të Kushtetutës), të kombinuar me të drejtën e shprehjes (neni 20 § 1 a) i Kushtetutës), që, ashtu sikundër Gjykata e ka thënë në vendimin no 38/2007 të 15 shkurtit 2007, « marrëdhënia midis mësuesve të edukimit fetar dhe Kishës nuk është krejtësisht e njëjtë me atë që ekziston në organizata që ndjekin qëllime ideologjike, e shqyrtuar shumë herë nga kjo Gjykatë : e para paraqet një kategori specifike dhe të dallueshme që, pavarësisht nga disa ngjashmëri me të dytën, është gjithsesi e ndryshme në disa drejtime ». Lidhur me këtë, Gjykata ka deklaruar në të njëjtin vendim - duke iu referuar njërit prej faktorëve që dallojnë marrëdhënien midis mësuesve të edukimit fetar dhe Kishës nga marrëdhënia në gjirin e një organizate që ndjek qëllime ideologjike, dhe që lejon të ndryshohen të drejtat e mësuesve në varësi të etikës edukative të institucioneve arsimore private- se detyrimi i imponuar nga certifikata kishtare e aftësisë « nuk konsiston thjesht në një detyrim për të mos kryer asnjë akt kundër etikës fetare, por më thellë, shtrihet në vlerësimin e kapacitetit të individit për mësimdhënien e doktrinës katolike, të marrë si një tërësi bindjesh fetare të bazuar në besim. Fakti që arsimi fetar ka për objekt përcjelljen jo vetëm të njohurive specifike, por edhe ato të besimit fetar të vetë atij që jep mësim, nënkupton sigurisht një tërësi kërkesash që i kapërcejnë kufijtë e një organizate që ndjek qëllime ideologjike, duke filluar me detyrimin e nënkuptuar të personit që mendon të transmetojë besimin fetar për ta shpallur vetë me zë të lartë këtë besim. (...) »
45. Së fundi, Gjykata kushtetuese shqyrtoi një argument të ngritur nga kërkuesi, i cili ka rekomanduar një reformim të rregullave të vetë kishës katolike. Gjykata arriti në përfundimin se :
« Në këtë rast, rezultati i vënies në balancë të të drejtave themelore që hyjnë në lojë- nga njëra anë, e drejta themelore e kishës katolike për liri fetare në dimensionin e vet kolektiv ose komunitar (neni 16 § 1 i Kushtetutës ), e kombinuar me detyrën për neutralitet fetar të shtetit (neni 16 § 3 i Kushtetutës), dhe nga ana tjetër, e drejta për liri mendimi dhe besimi (neni 16 § 1 e Kushtetutës), e kombinuar me të drejtën për liri shprehjeje (neni 20 § 1 a) i Kushtetutës) – nuk ndryshon aspak nga argumenti i të interesuarit sipas të cilit opinionet reformuese mbi celibatin e priftërinjve katolik synojnë të predikojnë një evoluim të rregullave të fesë katolike që ai i konsideron si të vjetruara. Ashtu siç e ka nënvizuar këshilltari juridik i qeverisë në vërejtjet e tij, detyra e shtetit për neutralitet fetar (neni 16 § 3 i Kushtetutës) ia ndalon shtetit të përzihet në konflikte të mundshme në gjirin e Kishës ose t’i zgjidhë ato, në këtë rast në konflikte midis partizanëve dhe kundërshtarëve të beqarisë (celibatit) priftërore. Në mënyrë më të përgjithshme, nuk i përket gjykatës sonë të shprehet mbi përshtatshmërinë dhe pajtueshmërinë e veprimeve, opinioneve dhe sjelljeve të personave të caktuar për mësimdhënien e një feje të caktuar me ortodoksinë e besimit fetar në fjalë. Si një organ i shtetit që ushtron autoritetin publik, Gjykata duhet të kufizohet në kuadrin e këtij ankimi të amparo-s, në pajtueshmëri me detyrimin për neutralitet, duke gjykuar si të mirëqenë karakterin ngushtësisht fetar të arsyeve të parashtruara nga autoriteti fetar në mbështetje të vendimit të tij për të mos e propozuar të interesuarin si mësues të fesë dhe të moralit katolik. Gjykata çmon përveç kësaj se të drejtat themelore të kërkuesit për liri mendimi dhe besimi dhe liri shprehjeje, me të cilat lidhen, në parim, veprimet opinionet dhe zgjedhjet e të interesuarit në këtë fushë, nuk janë cenuar as kufizuar veçse në një masë vërtet të domosdoshme për të siguruar pajtueshmërinë e tyre me lirinë fetare të Kishës katolike. Pra, ka vend për ta rrëzuar këtë ankim të amparo-s. »
46. Dy gjykatës formuluan një opinion të kundërt për sa i përket vendimit të dhënë nga shumica. Ata çmuan se vënia në balancë e të drejtave e kryer nga Gjykata kushtetuese është mjaftuar me përmendjen e arsyeve fetare të formuluara në vendimin për të mos e punësuar kërkuesin. Për mendimin e tyre, bërja publike e një sjelljeje tashmë të njohur më parë nuk mund të justifikonte mospërsëritjen e kontratës.
47. Më pas, kërkuesi kërkoi anulimin e vendimit të Gjykatës kushtetuese, me arsyen se dy gjykatësit e dhomës që e kishin dhënë vendimin njiheshin për afërsinë e tyre me Kishën katolike meqë njëri prej tyre ishte anëtar i Sekretariatit ndërkombëtar të juristëve katolikë.
48. Me një vendim të 23 korrikut 2007, Gjykata kushtetuese e rrëzoi kërkesën për anulim, me arsyen se neni 93 § 1 i ligjit organik mbi Gjykatën kushtetuese thoshte se i vetmi ankim i mundshëm kundër një vendimi[7] të gjykatës së lartë ishte një kërkesë për sqarim.
(...)
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 8 TË KUSHTETUTËS
68. Kërkuesi ankohet për mospërsëritje të kontratës së tij të punës. Ai sheh këtu një cenim të jetës së tij private dhe familjare dhe i referohet nenit 8 të Kushtetutës, të formuluar kështu :
« 1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe të letërkëmbimit së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
A. Përfundimet e dhomës
69. Në vendimin e 15 majit 2012, dhoma ka vënë në dukje se në të drejtën spanjolle nocioni i autonomisë së komuniteteve fetare plotësohet nga parimi i neutralitetit fetar të shtetit, i pranuar nga Kushtetuta, i cili e ndalon këtë të fundit të shprehet mbi çështje të tilla si celibati i priftërinjve. Ajo gjithsesi e ka pranuar se ky detyrim për neutralitet nuk është i pakufizuar : vendimi i Gjykatës kushtetuese i dhënë në këtë rast kishte konfirmuar se ky detyrim nuk u hiqte gjykatave mundësinë për të kontrolluar vendimin e peshkopit për të siguruar respektimin e të drejtave themelore dhe lirive publike ; ai kishte shtuar se, megjithatë përkufizimi i kritereve fetare ose morale në zanafillë të mospërsëritjes së një kontrate pune i përkiste vetëm autoritetit fetar, dhe, në fund të fundit, se gjykatat e brendshme mund të kryenin një vënie në balancë të drejtave themelore në konflikt dhe të gjenin nëse arsye të ndryshme nga ato me karakter ngushtësisht fetar kishin ndërhyrë në vendimin për të mos e përsëritur kontratën e kandidatit, meqë vetëm arsyet fetare mbrohen nga parimi i lirisë fetare.
70. Dhoma ka konstatuar se kërkuesi kishte pasur mundësinë ta çonte çështjen e tij para gjykatësit të punës, pastaj para Gjykatës së lartë të drejtësisë së Murcie-së dhe, në instancë të fundit, para Gjykatës kushtetuese përmes një ankimi të amparo-s. Ajo ka shtuar se leja për çlirim nga celibati që iu dha të interesuarit saktësonte se përfituesit e një mase të tillë nuk mund të jepnin mësim fenë katolike në institucione publike, veçse me autorizim të peshkopit.
71. Dhoma mendon se rrethanat që kishin arsyetuar mospërsëritjen e kontratës së kërkuesit kishin natyrë ngushtësisht fetare dhe se detyrimet e parimeve të lirisë fetare dhe të neutralitetit e ndalonin të shkonte më larg në shqyrtimin që lidhej me domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e vendimit për të mos e përsëritur kontratën e të interesuarit për postin e mësuesit.
72. Si përfundim, dhoma ka çmuar se gjykatat kompetente kishin ruajtur një ekuilibër të drejtë midis shumë interesave private dhe se aty nuk kishte pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
B. Tezat e palëve dhe vërejtjet e palëve të treta
1. Kërkuesi
73. Për kërkuesin, vendimi i dhomës e ka sakrifikuar të drejtën e tij për jetë private dhe familjare në favor të një të drejte absolute të Kishës katolike, pra e drejta për të pushuar nga puna lirisht për arsye qesharake dhe të parëndësishme. Kështu, i interesuari i referohet në të gjitha vërejtjet e tij « pushimit » objekt i të cilit ka qenë dhe, jo, mospërsëritjes së kontratës së tij.
74. Ai i referohet jurisprudencës së Gjykatës që buron nga çështja Hassan dhe Tchaouch kundër Bullgarisë ([GC], no 30985/96, § 60, GJEDNJ 2000‑XI), sipas të cilës, sipas mendimit të tij, e drejta për liri besimi nuk mbron çfarëdo akti të motivuar ose të frymëzuar nga një fe ose një bindje. Ai çmon se në këtë rast vendimi i mospërsëritjes së kontratës i marrë pas bërjes publike të gjendjes së tij, ishte qartësisht i çproporcionuar.
75. Kërkuesi madje pretendon se vendimi i dhomës nuk mban parasysh se është shteti që i paguante pagën, çka për mendimin e tij, do t’i kishte dhënë më shumë peshë të drejtave themelore, si e drejta për respektim të jetës private.
76. Kërkuesi shton se ky element lejon të dallohet kjo kërkesë nga çështje të shqyrtuara më parë nga Gjykata, të tilla si Obst kundër Gjermanisë (no 425/03, 23 shtator 2010), Schüth kundër Gjermanisë (no 1620/03, GJEDNJ 2010), ose edhe Siebenhaar kundër Gjermanisë (no 18136/02, 3 shkurt 2011). Në fakt, sipas tij, në këto çështje gjermane rekrutimi i personelit ishte kryer drejtpërdrejtë nga kishat ose nga vetë organizatat fetare, pa ndërhyrjen e administratës publike në procedurën e punësimit; nga ana tjetër, sipas të interesuarit, administrata nuk kishte në ngarkim as pagesën e punonjësve, ndryshe nga situata në këtë çështje.
77. Kërkuesi parashtron se argumenti i « skandalit » i përmendur nga peshkopata mbështetej mbi publikimin në shtyp të një fotografie ku shfaqej ai me familjen e tij. Në këtë drejtim, ai pretendon se nuk është shprehur kurrë kundër postulateve të Kishës, veçanërisht kundër beqarisë së priftërinjve, gjatë orëve të mësimit të fesë që ai jepte. Ai përmend edhe notën mbështetëse të drejtori të gjimnazit ku jepte mësim.
78. Kërkuesi pretendon se, ndonëse nuk ka bërë deklaratë në shtyp, atij i kanë atribuuar fjalë që kritikojnë politikat e Kishës. Komentet në fjalë do të kishin dalë nga anëtarë të tjerë të « Lëvizjes pro beqarisë fakultative », të priftërinjve që ishin të pranishëm në vendin e manifestimit.
79. Në këtë pikë, ai thotë se paragrafët 84 dhe 86 të vendimit të dhomës kanë futur një arsye të re për mospërsëritjen e kontratës së tij, d.m.th. kritikat të formuluara gjoja nga ai, ndërkohë që nota e peshkopit përmendte vetëm bërjen publike të gjendjes së tij personale.
80. Duke pasur parasysh sa më lart, kërkuesi mendon se në vendimin e saj dhoma, ka ndryshuar faktet e deklaruara si të vërtetuara nga gjykatësi i punës no 3 i Murcie-së – i cili kishte vlerësuar se arsyeja e mospërsëritjes ishte « skandali », - dhe ka bërë të vetat përfundimet e vendimit të Gjykatës kushtetuese.
2. Qeveria
81. Qeveria tregon se është thelbësore të zgjidhet çështja qendrore, d.m.th. të përcaktohet se cilat fakte kanë arsyetuar vendimin e peshkopatës së Kartagjenës për të mos përsëritur certifikatën e kërkuesit për aftësi në mësimdhënien e fesë katolike. Ai pretendon se mospërsëritja është shkaktuar nga ngjarjet e provokuara nga vetë i interesuari, kur ka zbuluar, sipas Qeverisë, vullnetarisht në media gjendjen e tij si prift i martuar dhe përkatësinë e tij në Lëvizjen pro beqarisë fakultative, si dhe mendimet e tij kundër qëndrimit të Kishës katolike mbi tema të ndryshme. Këto deklarata publike e kishin thyer lidhjen e besimit, thelbësore, midis Kishës dhe kërkuesit.
82. Qeveria pranon në përgjithësi qasjen e miratuar nga dhoma, për sa i përket dispozitës përkatëse të Konventës në këtë rast dhe çmon se përfundimi do të ishte identik nëse çështja do të ishte shqyrtuar në sferën e nenit 9.
83. Ajo mendon përveç kësaj se, ashtu si tregohet në paragrafin 78 të vendimit të dhomës, rasti i kësaj çështjeje duhet shqyrtuar në këndvështrimin e detyrimeve pozitive të shtetit (në dritën e çështjes Rommelfanger kundër Gjermanisë no 12242/86, vendim i Komisionit të 6 shtatorit 1989, Vendimet dhe raportet 62). Sipas saj, shteti i ka përmbushur detyrimet në këtë çështje.
84. Qeveria pretendon se në kohën e ngjarjeve vendimi ministror i 11tetorit 1982 zbatohej, për të plotësuar Marrëveshjen e 1979-ës midis Spanjës dhe Selisë së Shenjtë.
85. Ajo shton se në atë kohë mësuesit e fesë paguheshin drejtpërdrejt nga Kisha katolike, të cilës shteti i derdhte fondet e nevojshme në formën e subvencioneve. Ajo saktëson se, edhe sikur, sipas saj, regjimi juridik i mësuesve të fesë të ketë evoluar dhe pagat e tyre të paguhen sot drejtpërdrejt nga administrata, nuk ka ndryshuar një element thelbësor, pra, domosdoshmëria për të marrë një certifikatë aftësie të lëshuar nga Kisha, pa të cilën mësuesi nuk mund, sipas Qeverisë, të zërë këtë vend pune. Ajo mendon se bëhet fjalë për një aspekt thjesht të mënyrës sesi shteti financon mësimin e feve të ndryshme në Spanjë, dhe se përveç kësaj shteti ka një hapësirë të madhe vlerësimi për sa i përket organizimit të sistemit të vet arsimor.
86. Kështu, Qeveria çmon se, edhe sikur vendimi i mospërsëritjes së kontratës, në këtë rast, të jetë marrë nga administrata, ai përbën një “ akt të detyrueshëm”. Në fakt, sipas saj, administrata nuk mund të injoronte se një nga kushtet e domosdoshme për përsëritjen e kontratës nuk ishte përmbushur, d.m.th. fakti se kandidati duhej të ishte propozuar dhe deklaruar i aftë nga Kisha katolike. Pra, vendimi i administratës përbënte një akt thjesht formal.
87. Certifikata e aftësisë nuk do të kufizohej me konstatimin e kompetencave teknike të kandidatit. Në fakt, sipas kanonit 804 § 2 të kodit të së drejtës kanonike, kualifikimi profesional i mësuesve të fesë mbështetet mbi moralin e tyre, karakterin shembullor të jetës së tyre të krishterë dhe aftësive pedagogjike. Kjo pikë do të tregonte se marrëdhënia e mirëbesimit midis Kishës dhe mësuesit, e cilësuar nga Qeveria si « marrëdhënie juridiko-kanonike », është thelbësore. Në këtë rast, kjo marrëdhënie mirëbesimi është thyer nga deklaratat e kërkuesit
88. Gjithsesi, kjo marrëdhënie mirëbesimi nuk përjashton çdo kontroll juridiksional të vendimit të Kishës, as vënien në balancë të të drejtave themelore që hyjnë në lojë.
89. Kështu, sipas Qeverisë, sapo verifikon në një rast të dhënë, karakterin ekskluzivisht fetar të arsyes të mospërsëritjes të kontratës, organi juridiksional duhet të vërë në balancë të drejtat themelore në konflikt.
90. Qeveria pretendon se në këtë rast arsyet e kontestuara ishin me natyrë ngushtësisht fetare dhe preknin detyrimin për besnikëri dhe koherencë që kërkuesi duhet të përmbushë në punën që ka zgjedhur lirisht dhe që për më tepër dallon nga mësimdhënia e një lënde tjetër si historia apo matematika. Pra, Qeveria e fton Gjykatën të mbajë parasysh se lidhja e besnikërisë në këtë rast është më e theksuar se ajo që ekziston në çështje që kanë të bëjnë me një organist të një famullie (Schüth, e lartpërmendur), me një person që ruan fëmijët në një shkollë fetare (Siebenhaar, e lartpërmendur), ose edhe me një drejtor të marrëdhënieve me publikun në një Kishë (Obst, e lartpërmendur).
91. Për Qeverinë, nuk bëhet fjalë të përcaktojë nëse fjalët e kontestuara ishin të përligjura dhe mund të shpreheshin në publik. Për mendimin e saj, këtu ka rëndësi të dihet se deri në ç’masë një organizatë fetare është e detyruar të emërojë ose të vazhdojë të punësojë si mësues të fesë një person që ka shpallur publikisht ide të kundërta me doktrinën e saj. Fjalët e shprehura sigurisht kishin lidhje me të drejtën e kërkuesit për liri shprehjeje, por ato gjithsesi ishin në kundërshtim me doktrinën e Kishës dhe me kushtet e kërkuara për aftësinë kanonike të profesorëve të saj.
92. Qeveria më pas i kthehet situatës juridike të kërkuesit kundrejt Kishës katolike: leja për çlirim nga detyrimi i beqarisë kishte pasur për pasojë të kufizonte mundësisë për mësimdhënien e fesë katolike por dhe t’i jepte peshkopit pushtetin për të lejuar gjithsesi ushtrimin e këtij aktiviteti me kusht që të mos kishte rrezik për skandal. Për rrjedhojë, peshkopi do të kufizohej vetëm me ushtrimin e prerogativave të tij.
93. Përveç kësaj, për Qeverinë, kërkuesi ka pasur mundësi të paraqesë argumentet e tij para gjykatave të shkallëve të ndryshme, që kanë shqyrtuar ligjshmërinë e masës së kontestuar në dritën e të drejtës së punës, duke mbajtur parasysh të drejtën klerikale dhe që kanë vënë në balancë interesat e kundërta të kërkuesit dhe të Kishës dhe kanë respektuar kështu doktrinën e Gjykatës.
94. Së fundi, mësuesit e fesë do të rekrutoheshin sipas kritereve që do ndryshonin në thelb nga kriteret e zbatuara për mësuesit që japin lëndë të tjera : këta të fundit do të duhej të kalonin në një konkurs të hapur dhe publik, ndërsa mësuesit e fesë do të emëroheshin nga Kisha katolike e cila do t’i zgjidhte lirisht dhe do t’ia propozonte ata autoritetit civil kompetent nëse i gjykonte si të kualifikuar për mësimdhënien e fesë.
3. Palët ndërhyrëse
a) Konferenca episkopale spanjolle (Conferencia Episcopal Española – CEE)
95. Në vërejtjet e saj, CCE çmon se detyrimi nga ana e mësuesve të fesë për të pasur një certifikatë nga Kisha për aftësi dhe mundësia që ka autoriteti kishtar për ta hequr ose anuluar këtë miratim për arsye morale ose fetare i përgjigjet vetë natyrës së punësimit ose të drejtës së prindërve dhe të nxënësve për një transmetim të mirë të doktrinës dhe të vlerave katolike.
96. CEE tërheq vëmendjen mbi sistemin specifik të rekrutimit të mësuesve të fesë në Spanjë, që ndryshon nga sistemi i zbatuar për mësuesit e tjerë. Mësuesit e fesë do t’i propozoheshin administratës publike nga besimet e ndryshme fetare, pasi të ishin përzgjedhur ndër personat që kanë një diplomë të konsideruar të barasvlershme me atë të mësuesve të tjerë të rekrutuar nga administrata. Pas një propozimi në parim të bërë nga besimet fetare të interesuara, mësuesit e fesë emërohen nga administrata.
97. Kjo specifikë do të kishte një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm dhe do të ishte në përpjesëtim me qëllimet e ndjekura nga ligjbërësi, d.m.th. neutralitetin e shtetit, të drejtën e prindërve për një edukim të fëmijëve të tyre dhe autonominë e besimeve për rekrutimin e personelit të tyre mësues. Në këtë rast, mospërsëritja e kontratës nuk lidhet me statusin e kërkuesit si prift i martuar, por sipas palës ndërhyrëse, me faktin se ai ka vepruar publikisht kundër Kishës.
b) Qendra evropiane për të drejtën dhe drejtësinë (ECLJ)
98. ECLJ këmbëngul menjëherë në rëndësinë, që ka për të, parimi i autonomisë institucionale të bashkësive fetare, i cili përputhet me respektimin e detyrimit për neutralitet dhe paanshmëri të shtetit. Për të, pak rëndësi ka nëse statusi i mësuesve të fesë njësohet me atë të nëpunësve civilë ose punonjësve me kontratë, përderisa kjo nuk do ta ndryshonte aspak natyrën fetare të punës së tyre. Pika kyçe qëndron në mundësinë e një kontrolli nga ana e gjykatave civile, kontroll i cili duhet të shtrihet pak a shumë në varësi të karakterit ekskluzivisht fetar dhe jo në varësi të arsyetimit të vendimit për mospërsëritje të kontratës.
99. ECLJ kujton nocionin e detyrimit për besnikëri të madhe, që do të njihej edhe nga e drejta ndërkombëtare dhe evropiane, siç do të dëshmonin direktiva 2000/78/CE, Konventa no 111 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës për sa i përket diskriminimit në fushën e punësimit dhe të profesionit, direktivat që synojnë shqyrtimin e ligjeve që prekin fenë ose besimet fetare, të miratuara OSCE/BIDDH dhe nga Komisioni i Venecias, ose edhe aktivitetet e Komitetit të të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara (Ross kundër Kanadasë, komunikata no 736/1997). Ky detyrim besnikërie mbështetet te shfaqja e vullnetit personal të nëpunësit i cili pranon të heqë dorë nga ushtrimi i disa të drejtave të garantuara.
c) Katedra e të drejtës së besimeve në Universitetin katolik të Luvenit dhe American Religious Freedom Program i Ethics and Public Policy Center
100. Kjo palë ndërhyrëse pretendon se parimi i autonomisë së komuniteteve fetare pranohet gjerësisht nga e drejta ndërkombëtare. Ajo i referohet veçanërisht nenit 18 të Deklaratës universale të të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, ajo parashtron se e drejta për të zgjedhur « përgjegjësit fetarë, priftërinj dhe mësues » është pranuar shprehimisht nga Komitetit i të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara si garanci e autonomisë së një komuniteti fetar kur ky gjendet përballë një profesori që nuk i respekton kërkesat fetare (Delgado Páez kundër Kolumbisë, komunikatë no 195/1985, që kishte të bënte me një profesor feje në një shkollë të arsimit të mesëm në Kolumbi)
101. Përveç kësaj, pala ndërhyrëse citon vendimin[8] Hosanna-Tabor Evangelical Lutheran Church dhe School v. Equal Employment Opportunity Commission dhe al, e dhënë nga Gjykata e lartë e Shteteve të Bashkuara në 11 janar 2012, që për herë të parë ka pranuar në mënyrë të qartë « përjashtimin pastoral », doktrinë sipas të cilës rregullat tashmë të zbatueshme që ndalojnë diskriminimin në kuadrin e punësimit nuk zbatohen për « nëpunësit pastorë » (kategori që përfshin edhe mësuesit e fesë).
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Mbi ndryshimin e pretenduar të fakteve nga Gjykata kushtetuese dhe dhoma.
102. Gjykata vëren se palët nuk bien dakord për sa i përket fakteve që janë në origjinë të mospërsëritjes së kontratës së punës së kërkuesit. Në fakt, i interesuari çmon se në vendimin e saj, dhoma ka ndjekur Gjykatën kushtetuese duke futur fakte të reja që sipas tij nuk ishin deklaruar e vërtetuar nga gjyqtari i punës no 3 i Murcie-së. Ai pretendon në veçanti se Gjykata Kushtetuese ashtu si dhe dhoma kanë paraqitur kritikat e tij ndaj Kishës si arsye të mospërsëritjes së kontratës, ndërsa, nota e peshkopit ka përmendur vetëm bërjen publike nga ana e tij të gjendjes personale. Për Qeverinë, faktet që kanë motivuar vendimin e peshkopit janë deklarimet publike të kërkuesit i cili ka shpallur hapur si situatën e tij familjare ashtu edhe mendimet e tij kritike ndaj Kishës.
103. Gjykata nënvizon se, në vendimin e saj të 28 shtatorit 2000, gjykatësi i punës no 3 i Murcie –së ka menduar se kërkuesi kishte pësuar një diskriminim për shkak të gjendjes së tij civile dhe përkatësisë në shoqatën MOCEOP, meqë dalja e tij në shtyp ka qenë arsyeja që shkaktoi atë çka gjyqtari do ta cilësonte si pushim nga puna (paragrafi 25 më sipër). Kështu, pjesëmarrja e të interesuarit në lëvizjen në fjalë bënte pjesë tashmë në faktet e deklaruara si të vërtetuara. Mbi bazën e vetë këtyre fakteve, Gjykata e Lartë e drejtësisë ka arritur në përfundimin e kundërt.
104. Nga ana tjetër, Gjykata vëren se, në ankimin e tij të amparo-s para Gjykatës kushtetuese, vetë kërkuesi pretendonte se cilësimi si anëtar i MOCEOP dhe opinionet e tij kundër beqarisë së priftërinjve katolikë kishin shkaktuar mospërsëritjen e kontratës dhe mendonte se për shkak të këtij fakti i ishte cenuar jeta private dhe liria e besimit. Gjykata kushtetuese i ka bazuar përfundimet e saj mbi këta dy elemente (paragrafi 41 më sipër).
105. Përmbajtja e notës së peshkopit që është në origjinë të vendimit të mospërsëritjes së kontratës nuk e kundërshton atë çka thuhet më lart. Në fakt, shprehja “gjendja e kërkuesit” në mënyrë të arsyeshme mund të kuptohet si për t’iu referuar gjendjes civile të tij si burrë i martuar ashtu dhe përkatësisë së tij në MOCEOP. Këto dy elemente të mara së bashku mund të mendohet se kanë çuar në një gjendje që mund të provokonte “skandalin” e përmendur nga peshkopi.
106. Në fund, sa për deklarimet publike që i atribuohen kërkuesit (paragrafi 139 më lart), Gjykata konstaton se nuk rezulton nga asnjë vendim i brendshëm që ato janë marrë në konsideratë nga gjykatat kombëtare.
107. Si përfundim, nuk duket që Gjykata kushtetuese ose dhomat të jenë mbështetur mbi fakte të ndryshëm nga ata që janë deklaruar si të vërtetuar nga gjykatat e brendshme të cilat kanë vendosur mbi themelin. Dhoma e Madhe do ta mbajë parasysh këtë.
2. Mbi dispozitat e Konventës përkatëse në këtë rast.
108. Është mirë të nënvizohet, menjëherë, se shumë dispozita të Konventës janë të rëndësishme për vlerësimin e kësaj kërkese, veçanërisht nenet 8, 9, 10 dhe 11. Neni 8 duhet të merret parasysh për aq sa përfshin të drejtën e kërkuesit për të vazhduar jetën e tij profesionale, të drejtën e tij për respektim të jetës familjare dhe të drejtën për të bërë një jetë familjare haptazi. Neni 9 merret parasysh sepse mbron të drejtën e të interesuarit për liri mendimi dhe besimi. Neni 10 hyn në lojë sepse mbron të drejtën e kërkuesit për të shprehur opinionet e tij mbi doktrinat zyrtare të Kishës dhe neni 11 sepse garanton të drejtën e tij për pjesëmarrje në një organizatë që ka pikëpamje specifike mbi disa tema që kanë të bëjnë me fenë. Për mendimin e Gjykatës, gjithsesi, problemi kryesor që shtron kjo çështje ka të bëjë me mospërsëritjen e kontratës së kërkuesit. Ky i fundit nuk ankohet se e kanë ndaluar të mbrojë ose të përhapë disa ide ose t’i përkasë MOCEOP, as se i kanë cenuar jetën e tij familjare. Ai ankohet kryesisht, se nuk ka mundur të vazhdojë të japë mësim fenë katolike për shkak të bërjes publike të gjendjes së tij familjare dhe përkatësisë në MOCEOP. Prandaj, nën shembullin e dhomës, Dhoma e Madhe çmon se është mirë të shqyrtohet kërkesa nga pikëpamja e nenit 8 të Konventës.
3. Mbi zbatueshmërinë e nenit 8
109. Nga neni 8 nuk mund të nxirret një e drejtë e përgjithshme për punësimin ose për përsëritjen e një kontrate pune me kohëzgjatje të përcaktuar. Prandaj, Gjykatës i është dashur tashmë të shqyrtojë zbatueshmërinë e nenit 8 në sferën e punësimit. Nga kjo pikëpamje, ajo kujton se “jeta private” është një nocion i gjerë, që nuk ka një përkufizim shterues (shih, ndër të tjera, Schüth, i lartcituar, § 53). Do të ishte shumë kufizuese ta përmblidhje nocionin “jetë private” me një “rreth intim” ku secili mund të bëjë jetën e tij private sipas qejfit dhe të shmangë plotësisht botën e jashtme nga ky rreth (Niemietz kundër Gjermanisë, 16 dhjetor 1992, § 29, seria A no 251‑B).
110. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, nuk ka asnjë arsye parimore për të menduar se “jeta private” i përjashton aktivitetet profesionale (Bigaeva kundër Greqisë, no 26713/05, § 23, 28 maj 2009, dhe Oleksandr Volkov kundër Ukrainës, no 21722/11, § 165-167, GJEDNJ 2013). Kufizimet që i bëhen jetës profesionale mund të bien në sferën e veprimit të nenit 8, kur ato ndikojnë në mënyrën se si individi formon identitetin e tij shoqëror përmes zhvillimit të marrëdhënieve më njerëzit e tjerë. Përveç kësaj, jeta profesionale shpesh është e lidhur ngushtë me jetën private, veçanërisht nëse faktorë që lidhen me jetën private në kuptimin e ngushtë të fjalës, konsiderohen si kritere kualifikimi për një profesion të dhënë (Özpınar kundër Turqisë no 20999/04, §§ 43-48, 19 tetor 2010). Shkurt, jeta profesionale bën pjesë në atë zonë ndërveprimi midis individit dhe tjetrit që, edhe në një kontekst publik, mund të lidhet me “jetën private” (Mółka kundër Polonisë (vendim.), no 56550/00, GJEDNJ 2006‑IV).
111. Në këtë rast, ndërveprimi midis jetës private stricto sensu dhe jetës profesionale është edhe më i dukshëm pasi kjo lloj pune kërkonte jo vetëm kompetenca teknike, por edhe aftësi për “t’u dalluar për rigorozitet të doktrinës, dëshmi të një jete të krishterë dhe aftësinë pedagogjike” (...), duke krijuar kështu një lidhje të drejtpërdrejtë midis sjelljes në kuadrin e jetës private dhe veprimtarisë profesionale.
112. Gjykata nënvizon përveç kësaj se kërkuesi, i cili nuk ishte funksionar (nëpunës civil) por gjithsesi ishte nëpunës i punësuar dhe i paguar nga shteti, punonte si profesor feje qysh nga viti 1991 me kontrata me kohëzgjatje të përcaktuar që përsëriteshin çdo fillim viti shkollor me kusht që peshkopi të jepte miratimin për aftësitë e tij. Kështu, ndonëse kërkuesi nuk ka pasur kurrë një kontratë me kohëzgjatje të pakufizuar, prezumimi i përsëritjes të kontratës i jepte arsye të shëndosha të besonte se kontrata e tij do të zgjatej për sa kohë do të përmbusheshin kushtet e kërkuara dhe në mungesë të rrethanave që mund të justifikonin mospërsëritjen sipas të drejtës kanonike. Sipas mendimit të Gjykatës, faktet e çështjes ngjasojnë, mutatis mutandis, me ato të çështjes Lombardi Vallauri kundër Italisë (no 39128/05, § 38, 20 tetor 2009). Në fakt, kërkuesi në këtë rast ka ushtruar detyrën si profesor i fesë gjatë shtatë vjetësh pa ndërprerje dhe ishte i vlerësuar si nga kolegët ashtu edhe nga drejtoria e shkollave ku kishte dhënë mësim, çka dëshmon për qëndrueshmëri të situatës së tij profesionale.
113. Në këto kushte, Gjykata mendon se mospërsëritja e kontratës për shkak të ngjarjeve që lidhen kryesisht me zgjedhje personale të bëra nga ai në kuadrin e jetës private dhe familjare i ka komprometuar rëndë mundësitë e tij për të ushtruar aktivitetin profesional specifik. Prej këtej rrjedh se, në rrethanat e çështjes, neni 8 është i zbatueshëm.
4. Mbi shqyrtimin e nenit 8
a) Mbi ekzistencën e një ndërhyrjeje
114. Gjykata kujton së pari se, nëse neni 8 synon kryesisht të mbrojë individin kundër ndërhyrjeve arbitrare të Shtetit, ai nuk kënaqet duke urdhëruar Shtetin të mos bëjë ndërhyrje të tilla: këtij angazhimi negativ mund t’i shtohen detyrimet pozitive që lidhen me respektimin efektiv të jetës private. Këto detyrime mund të kërkojnë miratimin e masave që synojnë respektimin e jetës private deri në marrëdhëniet e individëve mes tyre. Nëse kufiri midis detyrimeve pozitive dhe negative të Shtetit ndaj nenit 8 nuk mund të ketë një përcaktim të saktë, parimet e zbatueshme janë gjithsesi të ngjashme. Në veçanti, në të dy rastet, duhet marrë parasysh ekuilibri i drejtë që duhet ruajtur midis interesit të përgjithshëm dhe interesave të individit, meqë shteti gëzon sipas të gjitha gjasave një hapësirë vlerësimi (Evans kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 6339/05, §§ 75-76, CEDH 2007‑IV, Rommelfanger, vendim i lartcituar, dhe Fuentes Bobo kundër Spanjës no 39293/98, § 38, 29 shkurt 2000).
115. Në kundërshtim me dhomën, Dhoma e Madhe çmon se në këtë rast nuk bëhet fjalë për të përcaktuar nëse Shteti duhet, në kuadrin e detyrimeve të tij pozitive që burojnë nga neni 8, t’i japë përparësi të drejtës së kërkuesit për respektim të jetës së tij private ndaj të drejtës së Kishës katolike për të kundërshtuar përsëritjen e kontratës së të interesuarit (shih a contrario, mutatis mutandis, vendimet Obst, § 43, Schüth, § 57, dhe Siebenhaar, § 38, të gjithë të lartcituar). Gjykata i bashkohet kështu qëndrimit të Gjykatës kushtetuese, që në vendimin e saj të 4 qershorit 2007 ka çmuar se, megjithëse vendimi për mospërsëritje të kontratës në të vërtetë nuk u morr nga një autoritet publik, mjaftonte, si në këtë çështje, që ky autoritet kishte ndërhyrë në një stad të mëvonshëm që të mendohej se bëhej fjalë për një akt të një autoriteti publik. Në fakt, Gjykata ishte e mendimit se thelbi i problemit qëndron në veprimin e administratës publike e cila, si punëdhënëse e kërkuesit drejtpërsëdrejti e përfshirë në procesin vendimmarrës, ka ekzekutuar vendimin e mospërsëritjes të marrë nga peshkopi. Ndonëse Gjykata e pranon se mundësitë e veprimit që i ofroheshin Shtetit në këtë rast ishin të kufizuara, është e detyruar të konstatojë se nëse Ministria e Arsimit nuk do ta kishte zbatuar vendimin e peshkopatës, kontrata e kërkuesit me siguri do të ishte përsëritur.
116. Duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata çmon se, në rrethanat e rastit, sjellja e administratës publike përbën ndërhyrje në ushtrimin nga kërkuesi i të së drejtës së tij për respektim të jetës private.
b) « Parashikuar nga ligji »
117. Fjalët « parashikuar nga ligji » së pari kërkojnë që masa e inkriminuar të ketë një bazë në të drejtën e brendshme, por ato lidhen gjithashtu me cilësinë e ligjit në fjalë: ato kërkojnë që ligji të jetë i kuptueshëm nga personi i interesuar i cili për më tepër duhet të parashikojë pasojat për veten dhe pajtueshmërinë e ligjit me shtetin e të drejtës (shih, veçanërisht Kopp kundër Zvicrës, 25 mars 1998, § 55, Përmbledhje e vendimeve 1998‑II). Kjo shprehje nënkupton veçanërisht që legjislacioni i brendshëm duhet të përdorë terma aq të qarta sa t’u tregojë të gjithëve në mënyrë të mjaftueshme në çfarë rrethanash dhe në çfarë kushtet ai e autorizon administratën publike të marrë masa që prekin të drejtat e tyre të mbrojtura nga Konventa (C.G. dhe të tjerë kundër Bullgarisë, no 1365/07, § 39, 24 prill 2008).
118. Gjykata nënvizon se Ministria e Arsimi ka vepruar sipas dispozitave të nenit III të Marrëveshjes së 1979 midis Spanjës dhe Selisë së Shenjtë që janë plotësuar nga vendimi i 11 tetorit 1982, sipas të cilit një emërim nuk përsëritet nëse peshkopi shpreh një mendim të kundërt (...) Marrëveshja në fjalë është një traktat ndërkombëtar, i përfshirë si i tillë brenda të drejtës spanjolle në pajtueshmëri me Kushtetutën spanjolle (shih, mutatis mutandis, Neulinger dhe Shuruk kundër Zvicrës [GC], no 41615/07, § 99, GjEDNj 2010). Mospërsëritja e kontratës, pra, mbështetet në të drejtën spanjolle në fuqi.
119. Mbetet për të përcaktuar se në deri ç’pikë kërkuesi mund të parashikonte se kontrata e tij nuk do të përsëritej. Çështja vendimtare është të dish se sa është në gjendje i interesuari t’i paraprijë riskut që, si pasojë e sjelljes së tij personale, peshkopi të mos e konsiderojë si një kandidat të mirë dhe që kontrata e tij, pra, të mos përsëritet. Në këtë kontekst, Gjykata vëren se peshkopata e Kartagjenës bazohet veçanërisht në nocionin e “skandalit” për të kundërshtuar zgjatjen e kontratës së kërkuesit (paragrafi 19 më sipër). Megjithëse ky nocion nuk është parashikuar shprehimisht në kanonet 804 dhe 805 të kodit të së drejtës kanonike (...) lidhur me profesorët e fesë, mund të konsiderohet se ai ka të bëjë me- pra është qartësuar nga - nocionet e “rigorozitetit të doktrinës”, “dëshmisë së një jete të krishterë”, ose të “arsyeve fetare apo zakonore” të cilat, nga ana e tyre, figurojnë në këto kanone. Nga kjo pikëpamje, Gjykata çmon se dispozitat e zbatueshme në këtë rast, u përgjigjeshin kërkesave që lidhen me parashikueshmërinë e pasojave të tyre. Në mënyrë të veçantë, përderisa kërkuesi ka qenë drejtor i seminarit, mund të prezumohet në mënyrë të arsyeshme se ai kishte dijeni për detyrimin për besnikëri të madhe që i takonte sipas të drejtës kishtare dhe që duhej, pra, ta kishte parashikuar se, me gjithë tolerancën që gëzonte prej shumë vitesh, shfaqja publike e qëndrimit të tij militant mbi disa rregulla të Kishës binte ndesh me dispozitat kanonike të zbatueshme dhe nuk mund të mbetej pa pasoja. Duke pasur parasysh qartësinë e termave të Marrëveshjes së vitit 1979 midis Spanjës dhe Selisë së Shenjtë, ai do të kishte mundur të parashikonte në mënyrë të arsyeshme se në mungesë të certifikatës së aftësisë të lëshuar nga Kisha kontrata e tij nuk do të përsëritej (shih, mutatis mutandis, Sindicatul « Păstorul cel Bun » kundër Rumanisë [GC], no 2330/09, § 155, 9 korrik 2013).
120. Pra, Gjykata është gati të pranojë, siç kanë bërë gjykatat kombëtare, se ndërhyrja e inkriminuar kishte për bazë ligjore dispozitat përkatëse të Marrëveshjes së 1979-ës midis Spanjës dhe Selisë së Shenjtë të cilat plotësohen nga vendimi i 11 tetorit 1982, dhe këto dispozita përmbushnin kërkesat e “ligjshmërisë” të vendosura në jurisprudencën e saj (shih, mutatis mutandis, Miroļubovs dhe të tjerë kundër Letonisë, no 798/05, § 78, 15 shtator 2009).
121. Si përfundim, Gjykata çmon se ndërhyrja e kontestuar ishte parashikuar nga ligji.
c) Qëllimi legjitim
122. Ashtu si palët, Gjykata mendon se vendimi i mospërsëritjes për të cilin bëhet fjalë në këtë rast ndiqte qëllimin legjitim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të tjetrit, në këtë rast ato të Kishës katolike, dhe veçanërisht autonomisë së saj për sa i përket zgjedhjeve të personave të autorizuar për mësimdhënien e doktrinës fetare.
d) Domosdoshmëria në një shoqëri demokratike
i) Parimet e përgjithshme
a) Vënia në balancë e të drejtave
123. Gjykata nënvizon se, kur asaj i drejtohen për t’u shprehur për një konflikt midis dy të drejtash njëlloj të mbrojtura nga Konventa, i duhet të vërë në balancë interesat që hyjnë në lojë (vendimet Siebenhaar, Schüth dhe Obst, të lartcituar). Në këtë rast, duhet vënë në balancë e drejta e kërkuesit për jetë private dhe familjare dhe e drejta e organizatave fetare për autonomi. Shteti duhet të garantojë këto dy të drejta dhe, nëse mbrojtja e njërës çon në cenimin e tjetrës, të zgjedhë mjetet adekuate për ta bërë këtë cenim në proporcion me qëllimin e ndjekur. Në këtë kontekst, Gjykata pranon se Shteti ka një hapësirë të madhe vlerësimi (voir, mutatis mutandis, Sindicatul « Păstorul cel Bun », i lartcituar § 160, dhe, mutatis mutandis, Von Hannover kundër Gjermanisë (no 2) [GC], nos 40660/08 et 60641/08, §§ 104-107, GJEDNJ 2012).
124. Ndërhyrja konsiderohet si « e domosdoshme në një shoqëri demokratike» për të arritur një qëllim legjitim nëse ajo i përgjigjet një “nevoje të ngutshme shoqërore” dhe në veçanti, nëse ajo është proporcionale me qëllimin legjitim të ndjekur dhe nëse arsyet e përmendura nga autoritetet kombëtare për ta justifikuar duken “bindëse dhe të mjaftueshme”(shih, për shembull, Coster kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 24876/94, § 104, 18 janar 2001, dhe S. dhe Marper kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nos 30562/04 et 30566/04, § 101, GJEDNJ 2008).
125. Ndërsa autoritetet kombëtare janë të parat që gjykojnë nëse plotësohen të gjitha kushtet, Gjykatës i takon të vendosë në mënyrë përfundimtare mbi çështjen e domosdoshmërisë së ndërhyrjes sipas kërkesave të Konventës. Duhet pranuar nga kjo pikëpamje një farë hapësire vlerësimi e autoriteteve kombëtare kompetente. Shtrirja e kësaj hapësire është e ndryshme dhe varet nga një numër faktorësh, si natyra e të drejtës në fjalë që garantohet nga Konventa, rëndësia e saj për personin e interesuar, natyra e ndërhyrjes dhe qëllimshmëria e kësaj të fundit. Kjo hapësirë është më e kufizuar kur e drejta në fjalë është e rëndësishme për t’i garantuar individit që të gëzojë efektivisht të drejtat themelore ose të natyrës “intime” të cilat i janë njohur. Pra, kur një aspekt shumë i rëndësishëm i ekzistencës ose identitetit të një individi hyn në lojë, hapësira e vlerësimit që i lihet Shtetit është më e kufizuar. Në të kundërt, ajo është më e madhe kur nuk ka konsensus në gjirin e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, qoftë mbi rëndësinë relative të interesit në fjalë qoftë mbi mjetet më të mira për ta mbrojtur atë (S. dhe Marper, më sipër, §§ 101-102). Në mënyrë të përgjithshme, hapësira është gjithashtu e madhe kur Shteti duhet të ruajë ekuilibrin midis interesave konkurruese private dhe publike ose të drejtave të ndryshme të mbrojtura nga Konventa (Obst, lartcituar, § 42).
β) E drejta për jetë private dhe familjare
126. Sa i përket të drejtës për jetë private dhe familjare, Gjykata nënvizon rëndësinë për individët që të mund të vendosin lirisht për mënyrën se si ata mendojnë ta bëjnë jetën e tyre private dhe familjare. Nga kjo pikëpamje, është mirë të nënvizohet se neni 8 i Konventës mbron gjithashtu të drejtën për zhvillim individual, qoftë në formën e zhvillimit personal (Christine Goodwin kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 28957/95, § 90, GJEDNJ 2002‑VI) qoftë nga pikëpamja e të drejtës për të lidhur dhe zhvilluar marrëdhënie me njerëz të tjerë dhe me botën e jashtme, meqë nocioni i autonomisë personale pasqyron një parim të rëndësishëm që nënkupton interpretimin e garancive të shprehura në këtë dispozitë (Pretty kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 2346/02, § 61, GJEDNJ 2002‑III). Pra, vetëkuptohet se e drejta e një individi për t’u martuar dhe për ta bërë publike zgjedhjen e tij mbrohet nga Konventa, veçanërisht nga neni 8 i parë në dritën e neneve të tjera që lidhen me të (paragrafi 108 më sipër).
γ) Detyrimi nga ana e shtetit për të mbrojtur autonominë e Kishës
– Shtrirja e autonomisë së komuniteteve fetare
127. Kur bëhet fjalë për autonominë e organizatave fetare, Gjykata nënvizon se bashkësitë fetare ekzistojnë tradicionalisht dhe universalisht në formën e strukturave të organizuara. Kur flitet për një organizatë fetare, neni 9 i Konventës duhet të interpretohet në dritën e nenit 11 i cili mbron jetën asociative kundër çdo ndërhyrje të pajustifikuar nga Shteti. E parë në këtë këndvështrim, e drejta e besimtarëve për liri fetare nënkupton se komuniteti mund të funksionojë qetësisht, pa ndërhyrjen arbitrare të shtetit. Autonomia e komuniteteve fetare është e domosdoshme për pluralizmin në një shoqëri demokratike dhe gjendet në zemër të mbrojtjes që jep neni 9 i Konventës. Ajo paraqet një interes të drejtpërdrejtë jo vetëm për organizimin e këtyre komuniteteve si të tilla, por edhe për garantimin efektiv të së drejtës për liri fetare për të gjithë anëtarët e tyre aktivë. Nëse organizimi i jetës së komunitetit nuk do të ishte mbrojtur nga neni 9 i Konventës, të gjithë aspektet e tjerë të lirisë fetare të individit do të dobësoheshin (Hassan dhe Tchaouch, i lartcituar, § 62, Kisha metropolitane e Besarabisë dhe të tjerë kundër Moldavisë, no 45701/99, § 118, GJEDNJ 2001-XII, dhe Këshilli i Lartë i Kishës ortodokse bullgare (Métropolite Innocent) dhe të tjerë kundër Bullgarisë, nos 412/03 dhe 35677/04, § 103, 22 janar 2009).
128. Sa i përket veçanërisht autonomisë së brendshme të grupeve besimtare, neni 9 i Konventës nuk i garanton asnjë të drejtë disidencës brenda një organizmi fetar; në rast mosmarrëveshjeje doktrinale ose organizacionale midis një komuniteti fetar dhe njërit prej anëtarëve të saj, liria e besimit të individit ushtrohet përmes aftësisë së tij për t’u larguar lirisht nga komuniteti (Miroļubovs dhe të tjerë, i lartcituar § 80). Nga ana tjetër, në këtë kontekst, Gjykata ka pasur shumë herë rastin të nënvizojë rolin e shtetit si organizues asnjanës dhe i paanshëm i praktikimit të feve, kulteve dhe besimeve, dhe të tregojë se ky rol kontribuonte për të siguruar rendin publik, paqen fetare dhe tolerancën në një shoqëri demokratike, veçanërisht midis grupesh të kundërt (shih, midis të tjerash, Hassan dhe Tchaouch, i lartcituar, § 78, dhe Leyla Şahin kundër Turqisë [GC], no 44774/98, § 107, GJEDNJ 2005‑XI). Respektimi i autonomisë së komuniteteve fetare të njohura nga shteti, kërkon veçanërisht, pranimin nga ky i fundit i së drejtës nga ana e komuniteteve për të reaguar në pajtueshmëri me rregullat e tyre dhe interesat për lëvizjet e mundshme të disidencës që mund të shpërthenin në gjirin e tyre dhe që mund të paraqisnin rrezik për kohezionin, për imazhin ose unitetin e tyre. Pra, nuk u takon autoriteteve kombëtare të ngrihen si arbitër midis organizatave fetare dhe subjekteve të ndryshme disidente që ekzistojnë ose mund të krijohen në sferën e tye (Sindicatul « Păstorul cel Bun », i lartcituar, § 165).
129. Gjykata tërheq vëmendjen se, me përjashtim të rasteve shumë të veçanta, e drejta për liri besimi ashtu siç e kupton Konventa përjashton çdo vlerësim nga ana e shtetit mbi legjitimitetin e besimeve fetare ose mbi mënyrat e shprehjes së tyre (Hassan dhe Tchaouch, i latcituar, §§ 62 dhe 78). Për më tepër, parimi i autonomisë fetare e ndalon shtetin të detyrojë një komunitet fetar të pranojë ose të përjashtojë një individ ose t’i besojë atij një përgjegjësi fetare të çfarëdoshme (shih, mutatis mutandis, Sviato-Mykhaïlivska Parafiya kundër Ukrainës, no 77703/01, § 146, 14 qershor 2007).
130. Së fundi, kur hyjnë në lojë çështje që lidhen me marrëdhëniet midis Shtetit dhe feve, mbi të cilat mund të ekzistojnë në mënyrë të arsyeshme divergjenca të thella në një shoqëri demokratike, ka vend për t’i dhënë një rëndësi të veçantë rolit të vendimmarrësit vendas (Leyla Şahin, i lartcituar, § 109). Është pikërisht rasti kur ekziston, në praktikën e shteteve evropiane, një larmi e madhe modelesh kushtetuese që rregullojnë marrëdhëniet midis shtetit dhe kulteve (Sindicatul « Păstorul cel Bun », i lartcituar, § 138).
– Detyrimi për besnikëri
131. Gjykata pranon se për shkak të autonomisë së tyre komunitetet fetare mund të kërkojnë një farë shkalle besnikërie nga ana e personave që punojnë për to ose që i përfaqësojnë. Në këtë kontekst, ajo ka gjykuar se natyra e postit të zënë nga këta persona ishte një element i rëndësishëm që duhej mbajtur parasysh në vlerësimin e proporcionalitetit të një mase kufizuese të marë nga shteti ose organizata fetare e interesuar (Obst, i lartcituar, §§ 48-51, dhe Schüth, i lartcituar, § 69). Veçanërisht, misioni specifik që i është besuar të interesuarit në kuadrin e një organizate fetare është një aspekt që duhet marrë parasysh për të përcaktuar nëse ky person duhet t’i nënshtrohet një detyrimi për më shumë besnikëri.
– Kufijtë e autonomisë
132. Mirëpo, nuk mjafton që një komunitet fetar të pretendojë një cenim real ose potencial të autonomisë së vet për ta bërë të pajtueshëm me nenin 8 të Konventës çdo ndërhyrje në të drejtën për respektim të jetës private ose familjare të anëtarëve të saj. Në fakt, duhet edhe që komuniteti fetar në fjalë të tregojë, në dritën e rrethanave të këtij rasti, se rreziku i pretenduar është i mundshëm dhe serioz, se ndërhyrja e kontestuar në të drejtën për respektim të jetës private nuk shkon përtej asaj çka është e domosdoshme për të shmangur këtë rrezik dhe se i shërben vetëm një qëllimi që ka të bëjë me ushtrimin e autonomisë së komunitetit fetar. Nga ana tjetër, ai duhet të mos cenojë thelbin e të drejtës për jetë private dhe familjare. U takon gjykatave kombëtare të sigurojnë se këto kushte do të përmbushen, duke bërë një shqyrtim të thelluar të rrethanave të çështjes dhe një një vënie në balancë të detajuar të interesave të kundërta (shih, mutatis mutandis, Sindicatul « Păstorul cel Bun », i lartcituar, § 159).
ii) Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në këtë çështje
133. Në zbatimin e këtyre parimeve në rastin e çështjes, Gjykata çmon se duhet të marrë parasysh elementet e mëposhtme:
α) Statusi i kërkuesit
134. Gjykata vëren së pari se kërkuesi e ka marrë lejen nga Vatikani për t’u çliruar nga detyrimi i beqarisë vetëm pas daljes së artikullit të shtypit. Meqë i interesuari ka qenë njëkohësisht burrë i martuar dhe prift, statusi i tij në atë kohë nuk është i qartë. Nga njëra anë, statusi i tij si prift i rregullt nuk kishte ndryshuar sipas këndvështrimit të Kishës – të paktën jo zyrtarisht – dhe, nga jashtë, kërkuesi mund të shihej ende si një përfaqësues i Kishës katolike meqë ai vazhdonte të jepte mësim fenë katolike. Nga ana tjetër, ai ishte i martuar dhe i njohur si një ish prift. Përveç kësaj, duhet mbajtur parasysh fakti se paga e tij si mësues paguhej nga shteti, megjithëse jo drejtpërdrejt, meqë Qeveria ka treguar se në atë kohë mësuesit e fesë e merrnin pagën drejtpërsëdrejti nga Kisha katolike të cilës shteti i derdhte fondet e nevojshme në formë subvencionesh.
135. Sidoqoftë, Gjykata çmon se kërkuesi, duke nënshkruar kontratat e njëpasnjëshme, ka pranuar duke pasur dijeni dhe vullnetarisht një detyrim besnikërie të madhe ndaj Kishës katolike, çka ka kufizuar në një farë mase shtrirjen e së drejtës për respektim të jetës private dhe familjare. Kufizime të tilla kontraktuale janë të pranueshme nga ana e Konventës kur ato pranohen lirisht (Rommelfanger, vendim i lartcituar). Në fakt, nga këndvështrimi i interesit të Kishës për mbrojtjen e koherencës së rregullave të saj, mësimdhënia e fesë katolike për adoleshentë mund të konsiderohet një funksion kyç që kërkon një besnikëri të veçantë. Gjykata nuk është e bindur se në kohën e daljes së artikullit në La Verdad, ky detyrim kontraktual i besnikërisë kishte pushuar së ekzistuari. Edhe pse statusi si prift i martuar i kërkuesit nuk ishte i qartë, mund të pritej ende që ky i fundit të respektonte detyrimin për besnikëri përderisa peshkopi e konsideronte si një përfaqësues të denjë për të dhënë mësim fenë katolike.
β) Bërja publike nga kërkuesi i gjendjes së tij si prift i martuar
136. Gjykata vëren së pari se nuk është vetë kërkuesi që ka nxjerrë një artikull mbi opinionet e tij ose jetën e tij familjare, por një gazetar që ka raportuar mbi tubimin e MOCEOP, duke i bashkëngjitur artikullit një fotografi që tregon të interesuarin me familjen e tij si dhe një përmbledhje idesh të mbrojtura nga një grup priftërinjsh ndër të cilët edhe kërkuesi. Sidoqoftë ka vend për të nënvizuar se, ndryshe nga i interesuari, shumica e pjesëmarrësve të tjerë në manifestim i kanë shmangur kontaktet me shtypin. Sa për pyetjen nëse kërkuesi e ka vënë vullnetarisht fotografinë e kontestuar, pikë gjithashtu që shkakton debat mes palëve, Gjykata çmon se përgjigjja nuk është thelbësore. Në fakt, edhe sikur të mendojmë se ka qenë fotografuar pa pëlqimin e tij, duhet konstatuar se asgjë në dosje nuk tregon se ai është ankuar për shfaqjen e tij në shtyp duke përdorur rrugët që i ofronte legjislacioni i brendshëm. Gjykata është e mendimit se duke pranuar të bëjë publike gjendjen e tij familjare dhe pjesëmarrjen e tij në një tubim të cilin peshkopi e ka konsideruar si protestë, i interesuari e ka këputur lidhjen e besimit të veçantë që ishte e domosdoshme për përmbushjen e detyrave që i ishin ngarkuar. Duke pasur parasysh rëndësinë e mësimdhënies së fesë për të gjitha besimet, nuk është për t’u çuditur që një thyerje e tillë të kishte pasoja. Kështu, Gjykata e sheh dhënien e lejes për çlirim nga detyrimi i beqarisë, trembëdhjetë vjet pas kërkesës së kërkuesit dhe menjëherë pas publikimit të artikullit në shtyp, si një pjesë e sanksionit që i është dhënë të interesuarit për shkak të sjelljes së tij.
137. Në sytë e Gjykatës, nuk është e paarsyeshme, për një Kishë ose një komunitet fetar, të kërkojë nga profesorët e fesë një besnikëri të veçantë ndaj saj, përderisa ata mund të konsiderohen si përfaqësues të saj. Ekzistenca e një divergjence midis ideve që duhen të mësohen dhe bindjeve personale të një mësuesi mund të shtrojnë një problem besueshmërie kur ky mësues militon aktivisht dhe publikisht kundër ideve në fjalë (shih, mutatis mutandis, Siebenhaar, i lartpërmendur, § 46). Kështu, problemi në këtë çështje ka të bëjë me rrethanën që kërkuesi mund të shihet si militant në mbrojtje të mënyrës së tij të jetesës me qëllim që të provokojë një ndryshim të rregullave të Kishës si dhe me kritikat e tij të hapura ndaj këtyre rregullave.
γ) Bërja publike nga ana e kërkuesit e përkatësisë së tij në MOCEOP dhe fjalët që i janë atribuuar.
138. Nëse palët bien dakord se është e qartë që kërkuesi ishte i martuar dhe baba i pesë fëmijëve, është e vështirë të përcaktohet deri në ç’masë përkatësia e tij në një organizatë që ndjek qëllime të papajtueshme me doktrinën zyrtare të Kishës njihej gjithashtu nga publiku i gjerë para daljes së artikullit të kontestuar. Në këtë kontekst, Gjykata çmon se duhet marrë parasysh përmbajtja specifike e mësimit që jepte i interesuari. Në këtë drejtim, situata e një mësuesi feje që është anëtar i një shoqate me ide që bien ndesh me mësimet e kësaj feje, dhe që militon publikisht për këtë shoqatë, dallohet, për shembull, nga ajo e një mësuesi gjuhe që do të ishte njëkohësisht anëtar i Partisë komuniste (Vogt 26 shtator 1995, seria A no 323). Detyrimi për besnikëri të lartë që i takon kërkuesit ka të bëjë me faktin se për të qenë i besueshëm, mësimi i fesë duhet dhënë nga një person mënyra e jetesës dhe deklarimet publike të të cilit të mos jenë në kontradiktë të hapur me fenë, sidomos kur kjo fe pretendon se drejton jetën private dhe bindjet personale të ndjekësve të saj (Direktiva 2000/78/CE, Schüth, i lartcituar, § 40, Obst, i lartcituar, § 27, dhe Lombardi Vallauri, i lartcituar, § 41). Prandaj vetëm fakti se asgjë nuk të bën të mendosh se kërkuesi ka trajtuar, në orët e tij të mësimit, teza të papajtueshme me doktrinën e Kishës katolike nuk lejon të arrish në përfundimin se ai e ka përmbushur detyrimin e tij për besnikëri të lartë (Vogt, i lartcituar).
139. Sa i përket deklarimeve që i janë mveshur kërkuesit pas daljes së artikullit në shtyp, ka vend për të nënvizuar se ky i fundit ia atribuon fjalët një grupi prej katër pjesëmarrësish në manifestim të dhënë me emra, ndër të cilët edhe kërkuesi, në lidhje me të cilin artikulli kujton se ka qenë madje drejtor i seminarit. Sipas artikullit, këta katër manifestues, ndër ta edhe kërkuesi, ishin shprehur pro kontracepsionit dhe nuk ishin pajtuar gjithashtu me qëndrimet e Kishës katolike mbi disa çështje të tjera si aborti, planifikimi i lindjeve dhe beqaria e priftërinjve.
140. Për mendimin e Gjykatës, nuk diskutohet se këto thënie lidhen me lirinë e shprehjes që mbrohet nga neni 10 i Konventës. Gjithsesi, edhe pse gjykatat vendase nuk e kanë mbajtur parasysh këtë (paragrafi 106 më sipër), kjo nuk do të thotë se Kisha katolike nuk mund të nxirrte në mënyrë të ligjshme disa pasoja, në ushtrimin e autonomisë së saj, edhe kjo e mbrojtur nga Konventa, në nenin 9 të saj. Në këtë drejtim, Gjykata nënvizon se në vlerësimin e rëndësisë së sjelljes së një personi të punësuar në shërbim të fesë, duhet marrë parasysh afërsia midis veprimtarisë së këtij personi dhe misionit kishtar të shpalljes së besimit. (Schüth, i lartcituar, § 69). Pra, në këtë çështje, kjo afërsi ishte dukshëm e madhe.
141. Pra, kërkuesi bënte pjesë vullnetarisht në rrethin e personave që i nënshtroheshin, për arsye besueshmërie, një detyrimi besnikërie të madhe kundrejt Kishës katolike, çka e kufizonte deri në një farë mase të drejtën e tij për respektim të jetës private. Për mendimin e Gjykatës, të shihesh publikisht si militant në lëvizje që kundërshtojnë doktrinën katolike bie ndesh qartazi me këtë detyrim. Nga ana tjetër, nuk ka pikë dyshimi se i interesuari, ishte ose duhej të ishte i vetëdijshëm për përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij detyrimi (shih, mutatis mutandis, Obst i lartcituar, § 50).
142. Shkurt, Gjykata mendon se ndryshimet e krijuara nga shpallja e përkatësisë së kërkuesit në MOCEOP dhe nga fjalët që figurojnë në artikull ishin të rëndësishme për më tepër që i interesuari u jepte mësim adoleshentëve të cilët nuk kishin pjekurinë e duhur për të bërë dallimin midis informacioneve që lidheshin me doktrinën e Kishës katolike dhe informacioneve që përbënin mendimin personal të kërkuesit.
δ) Përgjegjësia e Shtetit si punëdhënës
143. Gjykata nënvizon përveç kësaj se ndryshe nga kërkuesit në tri çështje gjermane Siebenhaar, Schüth dhe Obst të lartcituar, që ishin punësuar nga kishat e tyre përgjegjëse, kërkuesi i kësaj çështjeje, si të gjithë mësuesit e fesë në Spanjë, punësoheshin dhe paguheshin nga Shteti. Ky aspekt, gjithsesi, nuk është i tillë që të ndikojë mbi shtrirjen e detyrimit të besnikërisë që duhet përmbushur nga kërkuesi kundrejt Kishës katolike ose mbi masat që kjo e fundit mund të miratojë në rast se nuk plotësohet ky detyrim. Kjo analizë konfirmohet nga fakti se, në shumicën e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, kishat dhe komunitetet fetare të interesuara kanë një rol vendimmarrës të përbashkët, pra ekskluziv, në caktimin dhe përjashtimin e mësuesve të fesë, pavarësisht nga sistemi i financimit– i drejtpërdrejtë ose i tërthortë – në këtë mësimdhënie (...)
ε) Ashpërsia e sanksionit
144. Gjykata ka gjykuar tashmë, në një kontekst sigurisht pak të ndryshëm, se fakti që një punonjës i pushuar nga një punëdhënës kishtar ka mundësi të kufizuara të gjejë një punë të re, merr një rëndësi të veçantë. Kjo është e vërtetë sidomos kur punëdhënësi zë një pozicion sundues në një sektor aktivitetesh të dhënë dhe kur përfiton nga disa shmangie nga legjislacioni i përgjithshëm, ose kur formimi i punonjësit të pushuar është aq specifik saqë e ka të vështirë, ose të pamundur, të gjejë një punë të re jashtë Kishës që e punëson, siç ishte rasti në këtë çështje (shih, mutatis mutandis, Schüth, i lartcituar, § 73).
145. Sa për pasojat që ka për kërkuesin mospërsëritja e kontratës së tij të punës, s’ka asnjë dyshim se ky vendim përbën një sanksion që ka pasoja të rënda mbi jetën e tij private dhe familjare. Në notën e tij, peshkopi gjithsesi i ka marrë parasysh këto vështirësi dhe ka treguar se i interesuari mund të merrte dëmshpërblimet për papunësi (paragrafi 19 më sipër). Duhet konstatuar, nga kjo pikëpamje, se pas mospërsëritjes së kontratës së tij kërkuesi i ka marrë efektivisht këto përfitime.
146. Pasojat për të interesuarin duhet gjithashtu të konsiderohen në dritën e faktit se ai e ka vendosur veten vullnetarisht në një situatë të kundërt me rregullat kishtare. Nga përgjegjësitë e mëparshme në gjirin e Kishës, ai i njihte rregullat e saj dhe e dinte se qëndrimi i tij e vinte në një situatë pasigurie përballë peshkopit dhe e bënte përsëritjen e kontratës së tij të varur nga pushteti vlerësues i këtij të fundit. Pra, ai duhej të ishte i përgatitur se bërja vullnetarisht publike e përkatësisë në MOCEOP nuk do të kalonte pa pasoja në kontratën e tij. Gjykata nënvizon se megjithëse kërkuesi nuk ka marrë një paralajmërim paraprak për mospërsëritje kontrate, ai e dinte se kontrata e tij përsëritej çdo vit me anë të miratimit të peshkopit, çka nënkuptonte mundësinë që kishte ky i fundit të vlerësonte rregullisht respektimin nga ana e të interesuarit të detyrimit për një besnikëri të madhe. Së fundi, kërkuesi e dinte se Kisha katolike tashmë kishte dhënë prova tolerance në këtë drejtim duke e lejuar të jepte mësim fenë katolike për gjashtë vjet, d.m.th. për aq kohë sa situata e tij personale, e cila ishte e papajtueshme me rregullat e kësaj feje, nuk ishte bërë publike. Nga ana tjetër, është mirë të vërejmë se në këtë çështje një masë më pak kufizuese për të interesuarin sigurisht nuk do të kishte pasur të njëjtin efikasitet për sa i përket ruajtjes së besueshmërisë së Kishës. Pasojat që pati mospërsëritja e kontratës për kërkuesin duket se nuk kanë qenë të tepruara në rrethanat e çështjes, po të merret parasysh veçanërisht fakti se ai ishte vënë vullnetarisht në një situatë plotësisht të kundërt me rregullat e Kishës.
ζ) Kontrolli i ushtruar nga gjykatat e brendshme
147. Së fundi, kur bëhet fjalë për kontrollin e ushtruar nga gjykatat e brendshme, është mirë të nënvizohet se, megjithëse neni 8 nuk përmban asnjë detyrim procedural të qartë, Gjykata nuk mund të vlerësojë në mënyrë të kënaqshme nëse arsyet e paraqitura nga autoritetet kombëtare në mbështetje të vendimeve të tyre ishin “të mjaftueshme” për qëllimet e nenit 8 § 2, pa përcaktuar në të njëjtën kohë nëse procesi vendimmarrës, i konsideruar si një i tërë, i ka siguruar kërkuesit mbrojtjen e duhur për interesat e tij (W. kundër Mbretërisë së Bashkuar, 8 korrik 1987, §§ 62 dhe 64, seria A no 121, Elsholz kundër Gjermanisë [GC], no 25735/94, § 52, GJEDNJ 2000‑VIII, dhe Sahin kundër Gjermanisë [GC], no 30943/96, § 68, GJEDNJ 2003‑VIII).
148. Në këtë rast, Gjykata konstaton menjëherë se kërkuesi ka mundur të kontestojë mospërsëritjen e kontratës së tij para gjykatësit të punës e më pas para gjykatës së lartë të drejtësisë së Murcie-së, të cilat kanë shqyrtuar ligjshmërinë e masës së kontestuar në dritën e të drejtës së punës, duke mbajtur parasysh të drejtën kishtare dhe duke vënë në balancë interesat e kundërta të kërkuesit dhe Kishës katolike (shih, mutatis mutandis, Siebenhaar, Schüth, § 59, dhe Obst, § 45, të lartcituar). Në instancë të fundit, i interesuari ka mundur të bëjë një ankim të amparos para Gjykatës kushtetuese.
149. Nga ky këndvështrim, Gjykata nënvizon se në të drejtën spanjolle nocioni i autonomisë së komuniteteve fetare plotësohet nga parimi i neutralitetit fetar të shtetit, që është shkruar në nenin 16 § 3 të Kushtetutës dhe i ndalon autoritetet kombëtare të shprehen mbi përmbajtjen e nocioneve me karakter fetar të tilla si “skandali” apo beqaria (celibati) e priftërinjve. Sigurisht, ky detyrim i neutralitetit nuk është i pakufizuar, sipas mendimit edhe të vetë Gjykatës kushtetuese, në çështje të këtij lloji bëhet fjalë për të pajtuar kërkesat e lirisë fetare dhe parimin e neutralitetit fetar të shtetit me mbrojtjen juridiksionale të të drejtave themelore dhe të marrëdhënieve të punës së mësuesve. Kështu, në një çështje që lidhet me mospërsëritjen e kontratës së një mësueseje të fesë për shkak të martesës së saj me një burrë të divorcuar, gjykata e lartë ka vendosur për shkelje të së drejtës së të interesuarës për të mos u bërë objekt i një diskriminimi, të së drejtës për respektim të lirisë së saj mendimit lidhur me martesën dhe shkelje të së drejtës për intimitet personal dhe familjar (...)
150. Në këtë çështje, që është e ngjashme më çështjen e përmendur më lart, por që dallohet nga disa aspekte të rëndësishme, gjykatat e brendshme kanë çmuar se, përderisa arsyetimi i mospërsëritjes së kontratës ishte ngushtësisht fetar, ato, në këtë çështje, duhej të kufizoheshin me verifikimin e respektimit të të drejtave themelore në fjalë. Veçanërisht, pasi ka shqyrtuar me kujdes faktet e çështjes, Gjykata kushtetuese ka menduar se detyrimi i shtetit për neutralitet e ndalonte këtë të fundit të shprehej mbi nocionin e “skandalit” të përdorur nga peshkopi për të kundërshtuar kontratën e kërkuesit, si dhe mbi legjitimitetin e beqarisë fakultative të priftërinjve të predikuar nga i interesuari. Sidoqoftë, ajo ka vlerësuar shtrirjen e cenimeve të të drejtave të kërkuesit dhe ka çmuar se ato nuk ishin as të çproporcionuara e as jokushtetuese, por justifikoheshin me respektimin e detyruar ndaj ushtrimit të ligjshëm të së drejtës së Kishës katolike për liri fetare në dimensionin kolektiv ose komunitar, në lidhje me të drejtën e prindërve për të zgjedhur edukimin fetar të fëmijëve të tyre (paragrafi 43 më sipër). Edhe nëse prindërit e fëmijëve që kishin ndjekur mësimin e dhënë nga kërkuesi i kanë shfaqur këtij të fundit mbështetjen e tyre pas bërjes publike të situatës së tij, Gjykata mendon se argumenti i peshkopatës nuk është i paarsyeshëm përderisa synonte të mbronte integritetin e mësimdhënies.
151. Në dritën e asaj çka është thënë më lart, Gjykata çmon se gjykatat kombëtare kanë marrë parasysh të gjitha elementet respektive dhe, megjithëse e kanë vënë theksin te e drejta e kërkuesit për liri shprehjeje (paragrafi 45 më sipër), ato kanë kryer një vënie në balancë të hollësishme dhe të thelluar të interesave në fjalë (shih, mutatis mutandis, Obst, i lartcituar, § 49), në kufijtë që u impononte detyrimi për respektim të autonomisë së Kishës katolike. Përfundimet në të cilat arritën ato, për Gjykatën nuk janë të paarsyeshme, veçanërisht në dritën e faktit se i interesuari meqë kishte qenë prift dhe drejtor seminari, ishte ose duhej të ishte i ndërgjegjshëm, duke pranuar detyrën e profesorit të fesë katolike, për pasojat e mundshme të detyrimit për besnikëri të madhe për të cilën i detyrohej Kishës katolike, sidomos me qëllim që të ruhej besueshmëria e mësimdhënies të tij (shih, mutatis mutandis, Obst, i lartcituar, § 50). Fakti që Gjykata kushtetuese ka kryer një analizë të thellë bëhet edhe më i qartë për shkak të dy opinioneve disidente që gjenden bashkëngjitur këtij vendimi, çka tregon se gjykata e lartë e ka shqyrtuar problemin nga aspekte të ndryshme duke u ruajtur që të mos shprehet mbi përmbajtjen e parimeve që miraton Kisha. Sa për autonominë e Kishës, në dritën e kontrollit të ushtruar nga gjykatat kombëtare, nuk duket se ajo është përmendur në mënyrë abuzive në këtë çështje, d.m.th. nuk duket se vendimi i peshkopatës për të mos propozuar përsëritjen e kontratës së punës së kërkuesit ka qenë i motivuar në mënyrë të pamjaftueshme, arbitrar ose se ai është marë me një qëllim që s’ka të bëjë me ushtrimin e autonomisë së Kishës katolike.
e) Përfundimi
152. Si përfundim, duke marrë parasysh hapësirën e vlerësimit të shtetit në këtë rast, Gjykata çmon se ndërhyrja në ushtrimin nga kërkuesi i të drejtës së tij për respektim të jetës private nuk ishte e çproporcionuar (e tepruar).
153. Për rrjedhojë, ajo vendosi për jo-shkelje të nenit 8 të Konventës
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Shprehet, me nëntë vota pro dhe tetë kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës ;
(...)
Hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, në 12 qershor 2014, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores së Gjykatës.
Johan CallewaertDean Spielmann
Ndihmë/sekretar Kryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në pajtueshmëri me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores, parashtrimi i mendimeve të pakicës si më poshtë:
– mendim i kundërt i përbashkët për gjyqtarët Spielmann, Sajò, Karakaş, Lemmens, Jäderblom, Vehabović, Dedov dhe Saiz Arnaiz ;
(...)
– mendim i kundërt i gjyqtarit Sajò ;
– mendim i kundërt i gjyqtarit Dedov.
D.S.
J.C.
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglisht dhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1] Vendim për pranueshmërinë dhe themelin
[2] Vendim për pranueshmërinë dhe themelin
[3] Vendim për pranueshmërinë dhe themelin
[4] Vendim për pranueshmëri
[5] Vendim për pranueshmërinë dhe themelin
[6] Vendim për pranueshmërinë dhe themelin
[7] Vendim për pranueshmërinë dhe themelin
[8] Vendim për pranueshmërinë dhe themelin
Full & Egal Universal Law Academy