© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA FRANCESCO SESSA k. ITALISË
(Kërkesëpadi nr. 28790/08)
VENDIM
[Pjesë të zgjedhura]
STRASBURG
3 prill 2012
I FORMËS SË PRERË
24/09/2012
Ky vendim është bërë i formës së prerë sipas nenit 44 § 2 të Konventës.
Në çështjen Francesco Sessa k. Italisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur në një dhomë të përbërë nga:
Françoise Tulkens, kryetare,
Dragoljub Popović,
Isabelle Berro-Lefèvre,
András Sajó,
Guido Raimondi,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Helen Keller, gjyqtarë,
e nga Françoise Elens-Passos, zëvendëssekretare seksioni,
Pasi e shqyrtoi çështjen në seancë të mbyllur më 6 mars 2012,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 28790/08) e drejtuar kundër Republikës Italiane dhe me anë të së cilës një qytetar i këtij shteti, Z. Francesco Sessa (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 3 qershor 2008 sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësi është përfaqësuar nga Znja M. Cozza, avokate në Salerno. Qeveria italiane (“Qeveria”) është përfaqësuar prej agjentes së saj, Znjës E. Spatafora.
3. I interesuari ankohet konkretisht për një shkelje të lirisë së tij për shfaqur fenë e vet.
4. Më 6 korrik 2009, kryetarja e Seksionit të Dytë ka vendosur të njoftojë Qeverinë për kërkesëpadinë. Ashtu siç e lejon neni 29 § 1 i Konventës, është vendosur gjithashtu që Dhoma do të shprehet njëherazi edhe për pranueshmërinë, edhe për themelësinë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Paditësi ka lindur më 1955 dhe është me vendbanim në Napoli.
6. Me besim çifut, i interesuari është avokat. Më 7 qershor 2005, ai mori pjesë në një seancë lidhur me paraqitjen e menjëhershme të një mjeti prove (“incidente probatorio”) përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake (“GIP”) të Forlisë në cilësinë e përfaqësuesit të njërit nga dy ankuesit që kishin nisur një procedurë penale të drejtuar kundër disa bankave. Duke drejtuar seancën në vend të GIP-it të ngarkuar me çështjen, i cili ishte i zënë, zëvendësuesi i tij i ftoi palët të zgjidhnin një nga dy datat për shtyrje seance që ai kishte caktuar, konkretisht 13 ose 18 tetorin 2005.
7. Paditësi bëri vërejtje se këto dy data përkonin me dy festa çifute – Jom Kipur dhe Sukot – dhe deklaroi se, për arsye të detyrimeve të tij fetare, e kishte të pamundur të merrte pjesë në seancën e shtyrë. Ai saktësoi që ishte pjesëtar i komunitetit çifut të Napolit dhe denoncoi një shkelje të neneve 4 dhe 5 të Ligjit nr. 101 të 8 marsit 1989, i cili rregullonte marrëdhëniet midis shtetit dhe Bashkimit të Komuniteteve Çifute Italiane.
8. GIP-i e caktoi datën e seancës më 13 tetor 2005.
9. Po atë ditë, paditësi paraqiti një kërkesë për shtyrje të seancës, drejtuar GIP-it të ngarkuar me çështjen. Më 20 qershor 2005, pasi e shqyrtoi kërkesën në fjalë, GIP-i vendosi ta përfshijë atë në dosje pa marrë vendim.
10. Më 11 korrik 2005, i interesuari bëri ankim kundër GIP-it të ngarkuar me çështjen dhe zëvendësuesit të këtij të fundit, duke i qortuar se kishin shkelur nenin 2 të Ligjit nr. 101 të vitit 1989. Po të njëjtën ditë, paditësi informoi për këtë Këshillin e Lartë të Magjistraturës.
11. Në seancën e 13 tetorit 2005, GIP-i vërejti se i interesuari mungonte për “arsye personale” dhe u kërkoi palëve të shprehnin qëndrimin e tyre rreth kërkesës për shtyrje të bërë më 7 qershor. Prokurori dhe avokatët e të pandehurve u shprehën kundër kësaj kërkese, duke vënë sidomos në dukje se ajo nuk bazohej në një arsye për shtyrje të njohur nga ligji. Në kundërshtim me ta, avokati i ankuesit tjetër e mbështeti kërkesën e paditësit.
12. Me një vendim të po asaj dite, GIP-i e rrëzoi kërkesën e të interesuarit për shtyrje seance. Për të vendosur ashtu, ai vuri në dukje së pari se, sipas nenit 401 të Kodit të Procedurës Penale, në seancat për paraqitje të menjëhershme të një mjeti prove kërkohej vetëm prania e prokurorit dhe ajo e avokatit të të pandehurit, kurse ajo e avokatit të ankuesit ishte vetëm fakultative. Ai vërejti pastaj se Kodi i Procedurës Penale nuk e detyronte gjyqtarin për ta shtyrë seancën në rast pamundësie të arsyeshme paraqitjeje nga ana e mbrojtësit të ankuesit. Ai theksoi së fundi se në procedurë merrnin pjesë shumë palë ndërhyrëse (të akuzuar, ankues, ekspertë të caktuar kryesisht, ekspertë të caktuar nga palët) dhe se “duke pasur parasysh mbingarkesën me punë të kësaj zyre, që [do të kishte bërë] të shtyhej seanca për më 2006, parimi i afatit të arsyeshëm të procedurës dikton[te] rrëzimin e kësaj kërkese, të paraqitur nga një person që nuk kishte arsye të drejtë për të kërkuar një shtyrje”.
13. Më 23 janar 2006, Këshilli i Lartë i Magjistraturës e informoi paditësin se nuk ishte kompetent për t’i shqyrtuar faktet e mosmarrëveshjes, sepse ankesat e të interesuarit kishin të bënin me ushtrimin e veprimtarisë së juridiksionit.
14. Ndërkohë, më 9 janar 2006, prokuroria e Ankonës kishte kërkuar pushimin pa pasoja të kërkesës lidhur me ankimin e paraqitur nga paditësi. Ky i fundit e kundërshtoi këtë përmes një akti të 28 janarit 2006.
15. Me një vendim të 21 shtatorit 2006, GIP-i i Ankonës e pushoi ankimin e paditësit, duke vënë në dukje se ky i fundit nuk e kishte kundërshtuar kërkesën për pushim të bërë nga prokuroria.
16. Më 19 janar 2007, i interesuari bëri rekurs, duke e qortuar GIP-in se nuk kishte marrë parasysh kundërshtimin që ai kishte formuluar më 28 janar 2006. Duke çmuar që mosmarrja parasysh e kundërshtimit të paditësit kishte ndodhur sipas gjasave për shkak të një gabimi të sekretarisë, Gjykata e Kasacionit e shfuqizoi vendimin e 21 shtatorit 2006 dhe ia ktheu dosjen Gjykatës së Ankonës.
17. Më 12 shkurt 2008, i interesuari dhe prokuroria morën pjesë në një seancë përpara GIP-it të Ankonës. Me një vendim të 15 shkurtit 2008, ky i fundit e pushoi çështjen. Për t’u shprehur kështu, ai vërejti se asnjë element i dosjes nuk tregonte që GIP-i i ngarkuar me çështjen apo ai që e kishte zëvendësuar atë në seancën e 7 qershorit 2005 kishin pasur për qëllim që të shkelnin të drejtën e paditësit për ta ushtruar lirisht kultin çifut apo për të prekur dinjitetin e të interesuarit për arsye të besimit të tij.
II. E DREJTA E BRENDSHME LIDHUR ME ÇËSHTJEN
18. Ligji nr. 101 i 8 marsit 1989 përmban dispozita që rregullojnë marrëdhëniet midis shtetit dhe Bashkimit të Komuniteteve Çifute Italiane. Neni 2 i këtij ligji njeh të drejtën për ta shfaqur e ushtruar lirisht fenë çifute. Sipas nenit 4, Italia ua jep të drejtën për të mbajtur Shabatin atyre çifutëve që e kërkojnë atë, në kuadrin e elasticitetit të organizimit të punës dhe pa i dëmtuar kërkesat e shërbimeve thelbësore të parashikuara nga sistemi juridik italian.
Neni 5 i Ligjit nr. 101 i barazon me Shabatin Jom Kipurin, Sukotin dhe festa të tjera çifute.
19. Sipas pikës 5 të nenit 2 të këtij ligji, shfaqjet e intolerancës e të paragjykimit fetar ndëshkohen me sanksione të parashikuara nga neni 3 i Ligjit nr. 654 të vitit 1975, i cili është ligji për ratifikimin e Konventës Ndërkombëtare për Zhdukjen e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial. Sipas kësaj dispozite të fundit, cilido që përhap ide të bazuara mbi epërsinë ose mbi urrejtjen raciale apo etnike, ose nxit për të kryer akte diskriminimi për arsye raciale, etnike, kombëtare apo fetare, mund të ndëshkohet me një dënim me burgim deri në një vit e gjysmë.
20. Pika e parë e nenit 401 të Kodit të Procedurës Penale, që rregullon procedurën për paraqitjen e menjëhershme të një mjeti prove (“incidente probatorio”), shprehet kështu:
“Seanca zhvillohet e mbyllur, me pjesëmarrjen e nevojshme të prokurorit dhe të mbrojtësit të personit të marrë nën akuzë nga hetimet. Mbrojtësi i palës së dëmtuar e ka gjithashtu të drejtën për të marrë pjesë në të.”
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 9 TË KONVENTËS
21. Paditësi pretendon se mospranimi i autoritetit gjyqësor për ta shtyrë seancën e diskutueshme, të caktuar në një datë që përkonte me një festë çifute, e ka penguar atë të merrte pjesë aty në cilësinë e përfaqësuesit të njërit prej ankuesve dhe e ka cenuar të drejtën e tij për ta shfaqur lirisht fenë e vet. Ai i referohet nenit 9 §§ 1 dhe 2 të Konventës, i cili shprehet kështu:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve.
2. Liria e shfaqjes së fesë ose besimeve të dikujt nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.”
22. Qeveria e lufton këtë tezë.
(...)
B. Rreth themelit
1. Argumentet e palëve
29. Paditësi mbron mendimin se magjistratët që e kanë shqyrtuar çështjen e tij kanë vepruar me qëllimin që t’i cenojnë të drejtën për ta shfaqur lirisht fenë e vet.
30. Sipas tij, Ligji nr. 101 i vitit 1989 e lejonte atë të mungonte në punë me rastin e festave zyrtare çifute, për të mundur ta ushtrojë lirisht kultin e tij. Nga ana tjetër, asnjë kërkesë shërbimi të pashmangshëm nuk mund të sillej si argument në rastin e çështjes në fjalë për ta kufizuar këtë të drejtë, sepse seanca e 13 tetorit 2005 do të kishte qenë e mundur të shtyhej për në një datë tjetër pa i dëmtuar as mbarëvajtjen e procedurës, as të drejtat e pjesëmarrësve të tjerë në proces. Meqenëse nuk kishte të bënte me ndonjë masë për heqje lirie apo me të drejtat e ndonjë personi të burgosur, seanca e diskutueshme nuk paska pasur asnjë karakter të ngutshëm. Përderisa shtyrja e seancës ishte kërkuar me një paralajmërim prej katër muajsh, autoritetet e paskan pasur në dispozicion të gjithë kohën e nevojshme për ta organizuar kalendarin e seancave në mënyrë të tillë që të garantohej respektimi i të drejtave të ndryshme të pranishme.
31. Qeveria mbron nga ana e saj mendimin se nuk ka pasur kurrfarë ndërhyrjeje në të drejtën e paditësit për ta shfaqur lirisht fenë e tij, përderisa ai nuk është penguar kurrë që të marrë pjesë në festat çifute dhe ta ushtrojë lirisht kultin e tij. Ajo parashtron se autoritetet janë kufizuar të kujdesen që i interesuari të mos e pengonte funksionimin e shërbimeve publike thelbësore të shtetit, duke ushtruar të drejtën e tij për të kërkuar shtyrjen e seancës.
32. Sipas saj, e drejta e përmendur nga paditësi nuk qenka me karakter absolut. Edhe sikur Ligji nr. 101 i vitit 1989 të kishte të bënte me marrëdhëniet e punës midis një avokati dhe një gjykate, u dashka të vihet re se pika 2 e nenit 4 të këtij teksti parashikon shprehimisht që kërkesat e lidhura me shërbimet thelbësore kanë epërsi mbi të drejtën e individit për ta ushtruar lirisht kultin e tij. Mirëpo dhënia e drejtësisë qenka një shërbim thelbësor i shtetit, që duhet të shihet me përparësi në çdo rrethanë.
Përveç kësaj, pjesëmarrja e avokatit të palës së dëmtuar në seancën për paraqitjen e menjëhershme të një mjeti prove nuk qenka e detyrueshme. Gjithsesi, një avokat i cili nuk merr dot pjesë në një seancë për arsye personale paska mundësi t’i caktojë vetes një zëvendësues në kushtet e parashikuara nga neni 102 i Kodit të Procedurës Penale. Duke zgjedhur të mos e shfrytëzojë këtë mundësi, paditësi nuk paska pranuar t’i pajtojë detyrimet fetare të lidhura me kultin e tij me kërkesat për një miradministrim të drejtësisë.
33. Së fundi, shtyrja e seancës së diskutueshme paska mundur të cenojë mbarëvajtjen e procedurës dhe të drejtën e njëzet e një të pandehurve për të pasur një proces me kohëzgjatje të arsyeshme, sepse, po të pranohej, qenkësh dashur t’u njoftohej një datë e re seance personave të shumtë që ndërhynin në cilësi të ndryshme në atë proces.
2. Vlerësimi i Gjykatës
34. Gjykata rikujton që, ndonëse liria fetare është në radhë të parë çështje sedre, ajo nënkupton gjithashtu edhe lirinë për ta shfaqur fenë e vet, jo vetëm kolektivisht, publikisht dhe në rrethin e atyre që kanë të njëjtën fe: me atë mund të krenohesh edhe individualisht e privatisht (Kokkinakis k. Greqisë i 25 majit 1993, § 31, seria A nr. 260-A). Neni 9 numëron disa forma që mund të marrë shfaqja e një feje a një besimi, konkretisht kultin, mësimdhënien, praktikat dhe kryerjen e riteve. Megjithatë, ai nuk mbron çfarëdolloj veprimi të arsyetuar ose të frymëzuar nga një fe apo besim (Kalaç k. Turqisë, 1 korrik 1997, § 27, Recueil des arrêts et décisions 1997‑IV; Kosteski k. “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë”, nr. 55170/00, § 37, 13 prill 2006).
35. Kështu, nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen nga neni 9 shkarkimi nga detyra i një punonjësi të shërbimit publik që nuk i ka respektuar oraret e tij të punës me arsyetimin se Kisha Adventiste e Ditës së Shtatë, të cilës ai i përkiste, ua ndalonte pjesëtarëve të saj që të punojnë të premten pas perëndimit të diellit (Konttinen k. Finlandës, nr. 24949/94, vendim i Komisionit i 3 dhjetorit 1996, Décisions et rapports (DR) 87-B, f. 68), apo nxjerrja në pension kryesisht, si masë disiplinore, e një ushtaraku që ka mendime integriste (Kalaç, i cituar më lart; shih gjithashtu Stedman k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 29107/95, vendim i Komisionit i 9 prillit 1997, DR 89-B, f. 104, lidhur me pushimin nga puna të një punëmarrësi nga një punëdhënës i sektorit privat pas mospranimit të të interesuarit për të punuar ditën e diel). Në këto çështje, Komisioni dhe Gjykata kanë qenë të mendimit se masat e marra ndaj paditësve nga autoritetet nuk ishin të motivuara me bindjet e tyre fetare, por të përligjura nga detyrime të posaçme përmes kontratash që i lidhnin të interesuarit me punëdhënësit e tyre përkatës.
36. Në rastin e çështjes në fjalë, Gjykata vëren se rrëzimi i kërkesës për shtyrje të paraqitur prej paditësit nga ana e gjyqtarit të hetimeve paraprake bazohej te disa dispozita të Kodit të Procedurës Penale, nga të cilat del se shtyrja e një seance për paraqitje të menjëhershme të një mjeti prove nuk përligjet përveç se në rast mungese të prokurorit dhe të avokatit të të pandehurit dhe se prania në seancë e avokatit të ankuesit nuk është e domosdoshme.
37. Duke pasur parasysh rrethanat e çështjes, Gjykata nuk bindet që caktimi i seancës së diskutueshme në një datë e cila përkon me një festë çifute dhe mospranimi për ta shtyrë atë në një datë tjetër të mund të analizohen si një kufizim i së drejtës së paditësit për ta ushtruar lirisht kultin e tij. Përveç kësaj, ky i fundit duhej ta priste që kërkesa e tij për shtyrje të rrëzohej në përputhje me dispozitat e ligjit në fuqi dhe ai do të kishte mundur ta zëvendësonte veten në seancën e diskutueshme me qëllim që t’i plotësonte detyrimet e tij profesionale.
Gjykata vëren së fundi se paditësi nuk e ka vërtetuar që t’i jenë bërë presione me synim për ta bërë të ndryshojë besim fetar apo për ta penguar të shfaqë fenë e tij ose besimin e tij (Knudsen k. Norvegjisë, nr. 11045/84, vendim i Komisionit i 8 marsit 1985, DR 42, f. 258, Konttinen, i cituar më lart).
38. Sidoqoftë, edhe sikur të ketë pasur ndërhyrje në të drejtën e paditësit sipas nenit 9 § 1, Gjykata çmon se kjo ndërhyrje ishte e parashikuar nga ligji, se ajo përligjej me mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve – konkretisht të së drejtës së të pandehurve për të përfituar nga një funksionim i mirë i dhënies së drejtësisë dhe për t’iu respektuar parimi i afatit të arsyeshëm të procedurës (paragrafi 12 i mësipërm) – dhe se ajo paraqiste një raport të arsyeshëm përpjesëtueshmërie midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar (shih, mutatis mutandis, Casimiro e Ferreira k. Luksemburgut (vend. pran.), nr 44888/98, 27 prill 1999).
39. Për rrjedhojë, nuk ka pasur shkelje të nenit 9 të Konventës.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
(...)
2. Thotë, me katër vota në favor dhe tri kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 9 të Konventës.
I hartuar në frëngjisht, pastaj i njoftuar me shkrim më 3 prill 2012, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores.
Françoise Elens-PassosFrançoise Tulkens
ZëvendëssekretareKryetare
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të përbashkët të gjyqtarëve Tulkens, Popocić dhe Keller.
F.T.
F.E.P.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy