SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA FRROKU KUNDËR SHQIPËRISË
(Kërkesa nr. 47403/15)
VENDIM
STRASBURG
18 shtator 2018
Ky vendim është bërë i formës së prerë bazuar në nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund të bëhet objekt i rishikimit redaktues.
Në çështjen Frroku kundër Shqipërisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur si një Dhomë e përbërë nga:
Robert Spano, kryetar,
Ledi Bianku,
Işıl Karakaş,
Valeriu Griţco,
Jon Fridrik Kjølbro,
Stéphanie Mourou-Vikström,
Ivana Jelić, gjyqtarë,
dhe Stanley Naismith, kryesekretar,
Pasi diskutuan me dyer të mbyllura në datën 28 gusht 2018,
Shpall vendimin më poshtë, i cili u miratua në po atë datë:
PROCEDURA:
1. Çështja filloi me një kërkesë (nr. 47403/15) kundër Republikës së Shqipërisë paraqitur në Gjykatë, më 22 shtator 2015, sipas nenit 34, të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”), nga një shtetas shqiptar, z. Mark Frroku (“kërkuesi”).
2. Kërkuesi u përfaqësua nga z. T. Prendi, një avokat i cili ushtron profesionin në Tiranë. Qeveria shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj, në atë kohë, znj. A. Hicka, nga Avokatura e Shtetit.
3. Kërkuesi pretendonte se ndalimi i tij mbështetur në akuzat sipas neneve 257/a dhe 287 të Kodit Penal ishte i paligjshëm.
4. Më 5 shkurt 2016, ankesa në lidhje me paligjshmërinë e ndalimit të tij, mbi akuzat sipas neneve 257/a dhe 287 të Kodit Penal iu komunikua Qeverisë, ndërsa pjesa tjetër e kërkesës u deklarua e papranueshme, sipas Rregullit 54 § 3 të Rregullores së Gjykatës.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesi ka lindur në vitin 1972 dhe jeton në Shqipëri. Ai ka qenë deputet nga viti 2013 deri më 20 tetor 2015.
A. Grupi i parë i procedimeve penale ndaj kërkuesit
6. Më 20 mars 2015, Prokuroria e Përgjithshme (“PP”) nisi procedimet penale ndaj kërkuesit për kallëzim të rremë të një krimi dhe deklarata të rreme përpara prokurorit dhe për kërcënimin e njerëzve për të marrë deklarata të rreme, në kundërshtim me nenet 305, 305/a dhe 312/a të Kodit Penal (“KP”).
7. Duke pasur parasysh imunitetin e tij parlamentar, më 26 mars 2015, Parlamenti autorizoi arrestimin e kërkuesit. Si rezultat, në po të njëjtën ditë, PP urdhëroi arrestimin e tij, i cili u ekzekutua menjëherë.
8. Më 27 mars 2015, PP i kërkoi Gjykatës së Lartë të njihte arrestimin e kërkuesit.
9. Më 28 mars 2015, Gjykata e Lartë konstatoi se PP, me urdhrin e saj për arrestimin e kërkuesit, kishte respektuar ligjin e brendshëm, përderisa kishte marrë autorizimin paraprak të Parlamentit, në mbështetje të nenit 73 § 2 të Kushtetutës. Kërkuesi është akuzuar për një sërë shkeljesh. Duke pasur parasysh pozicionin e tij publik, situatën e tij financiare, mundësinë që ai të mund të manipulonte provat, dhe informacionet e marra nga autoritetet belge në lidhje me pretendimin për përfshirjen e tij në kryerjen e një krimi në Belgjikë, kishte dyshime të arsyeshme se ai mund të arratisej. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë gjykoi se privimi i kërkuesit nga liria ishte i ligjshëm. Për sa i përket masës së sigurimit që do të ushtrohej ndaj kërkuesit, Gjykata e Lartë urdhëroi që ai të mbahej në arrest shtëpie.
B. Grupi i dytë i procedimeve penale ndaj kërkuesit
10. Më datë 27 mars 2015, Zyra e Interpolit në Tirana (“Interpol Tirana”) informoi PP-në në lidhje me ekzistencën e një urdhri ndërkombëtar arresti ndaj kërkuesit. Urdhri nr. B1/07 OPC, është lëshuar më 3 dhjetor 2014, nga prokuroria belge në Gjykatën e Apelit Bruksel, në lidhje me veprën penale të vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim. Mbështetur në dosjen e çështjes, rezulton se sipas Njoftimit të Kuq, lëshuar nga Interpoli për kërkuesin, ai kërkohej për t’u proceduar penalisht.
11. Më 28 mars 2015, në mbështetje të nenit 6 të KP-së, nenit 287 të Kodit të Procedurës Penale (“KPP”) dhe nenit 38 § 7 të aktit për marrëdhëniet juridiksionale, PP nisi procedime të reja penale ndaj kërkuesit për kryerjen e vrasjes me paramendim, në bashkëpunim, sipas nenit 78/1 dhe 25 të KP-së. Në po të njëjtën ditë, prokuroria kërkoi autorizimin nga Parlamenti me qëllimin për të urdhëruar arrestimin e kërkuesit.
12. Më 2 prill 2015, Parlamenti autorizoi arrestimin e kërkuesit, në mbështetje të kërkesës së PP-së, të datës 28 mars 2015.
C. Grupi i tretë i procedimeve penale ndaj kërkuesit
13. Më 1 prill 2015, në mbështetje të një raporti penal të paraqitur nga Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Ndalimin e Konfliktit të Interesit, prokuroria nisi procedimet penale ndaj kërkuesit për pastrimin e produkteve nga një vepër ose aktivitet kriminal dhe për refuzimin për të deklaruar ose për deklarimin e rremë të pasurisë së tij, në kundërshtim me nenet 287 dhe 257/a të KP-së. Në po të njëjtën datë, prokuroria vendosi ta bashkojë atë grup procedimesh me grupin e dytë të procedimeve.
14. Më 2 prill 2015, në mbështetje të autorizimit të Parlamentit, në po të njëjtën ditë (shih më sipër), kërkuesi u ndalua sipas grupit të dytë dhe të tretë të procedimeve penale. Urdhërarresti i referohej një shkrese nga Drejtoria e Policisë Tiranë, ku deklarohej “zbatimi i masës së sigurimit për arrest shtëpie nuk mund të garantohet plotësisht, për shkak të pozicionit gjeografik të shtëpisë së kërkuesit, sipërfaqes së madhe të shtëpisë, ekzistencës së më shumë se dy portave hyrëse dhe dalëse, si edhe për shkak të ekzistencës së një sërë ndërtesave të ndërtuara pranë dhe rreth shtëpisë”.
D. Procedimet gjyqësore në lidhje me ligjshmërinë e ndalimit të kërkuesit, më 2 prill 2015
1. Procedimet përpara Gjykatës së Lartë
15. Më 2 prill 2015, prokurori i kërkoi Gjykatës së Lartë të njohë ndalimin e kërkuesit.
16. Më 3 prill 2015, Gjykata e Lartë vendosi se ndalimi i kërkuesit ishte i ligjshëm. Duke qenë se ai ishte akuzuar për shkelje të dënueshme me jo më pak se dy vjet burgim, ndalimi i tij ishte në përputhje me nenit 253 të KPP-së. Kishte prova të arsyeshme për të besuar se ekzistonte rreziku i arratisjes për shkak të veprave për të cilat ishte akuzuar. Kërkuesi ishte deputet, kishte mjete financiare dhe ekzistonte rreziku se ai mund të manipulonte grupin e provave ose t’i fshihej drejtësisë.
17. Në vijim, Gjykata e Lartë se masa e sigurisë së arrestit duhej të ushtrohej në lidhje me nenet 228–230 të KPP-së, dhe kjo do të sillte përmbushjen e tri kushteve: së pari, se ekzistonte dyshimi i arsyeshëm, mbështetur në të dhëna, se i pandehuri kishte kryer një krim; së dyti, se faktet që i atribuoheshin të pandehurit përbënin një vepër penale, e cila nuk ishte e parashkruar, sipas parashikimeve të ligjit penal; dhe së treti, se i pandehuri ishte penalisht përgjegjës për veprën penale të pretenduar. Sipas Gjykatës së Lartë, në rastin e kërkuesit, të tri kushtet ishin përmbushur në mënyrë kumulative. Në vijim, arrestimi i kërkuesit respektonte kriteret e parashikuara në nenin 229 të KPP-së, dhe po ashtu justifikohej nga nevoja për të parandaluar çdo ndërhyrje të kërkuesit në administrimin e drejtësisë, për shkak të pozicionit të tij publik, dhe nevojës për të parandaluar pasojat e mëtejshme të cilat shkaktoheshin nga vepra penale.
18. Në opinionin e tij kundërshtues, gjyqtari A.B. pohoi se rreziku për t’u arratisur nuk duhet të mbështetet në hamendësime, hipoteza, supozime apo mendime të dyta. Fakti se policia nuk mundi të siguronte arrestin në shtëpi të kërkuesit nuk duhej të ishte përdorur ndaj tij. Prokurori nuk përdori barrën e provës në lidhje me pretendimin se kërkuesi synonte ose do të përpiqej të arratisej. Dosja e çështjes nuk përmbante asnjë provë për rrezikun e arratisjes.
2. Procedimet përpara Gjykatës Kushtetuese
19. Më 26 maj 2015, kërkuesi apeloi në Gjykatën Kushtetuese. Ai u ankua se prokurori fillimisht duhej të kishte kërkuar autorizimin e Parlamentit për të ndërmarrë një hetim penal ndaj tij, përpara se të kërkonte autorizimin për arrestimin e tij. Në vijim, Parlamenti nuk kishte lëshuar asnjë autorizimin për arrestimin e tij në lidhje me akuzat sipas neneve 287 dhe 257/a të KP-së. Procedimet penale të ndërmarra ndaj tij në lidhje me pretendimin për një krim në Belgjikë kishin qenë në shkelje me Konventën Evropiane për Transferimin e Procedimeve në Çështjet Penale, sepse autoritetet belge nuk i kishin kërkuar autoriteteve shqiptare të ndërmerrnin procedime ndaj tij.
20. Më 6 korrik 2015, Gjykata Kushtetuese, e përbërë nga një panel prej tre gjyqtarësh pushoi apelin e kërkuesit. Ajo gjykonte se neni 73 § 2 i Kushtetutës, ndryshuar në vitin 2012, kërkonte autorizimin e Parlamentit për, midis të tjerash, arrestimin e një deputeti, duke qenë se autorizimi i Parlamentit për ndërmarrjen e një hetimi penal ishte shfuqizuar. Masat e sigurisë ndërmarrë ndaj kërkuesit nga Gjykata e Lartë vinin si përgjigje ndaj të gjithë procedimeve penale ndaj tij, duke përfshirë akuzat sipas neneve 257/a dhe 287 të KP-së.
3. Procedimet penale ndaj kërkuesit në Belgjikë
21. Më 19 shkurt 2015, Gjykata Penale Belge e Brabant Wallon vendosi të rihapte procedimet penale ndaj kërkuesit, dhe planifikoi një seancë dëgjimore për t’u mbajtur më 19 tetor 2015.
22. Më 15 korrik 2015, PP e Shqipërisë dha vendimin se ajo nuk kishte autoritetin për të shqyrtuar një kërkesë nga kërkuesi për të ndjekur seancën e datës 19 tetor 2015, në Belgjikë.
23. Më 4 shtator 2015, Gjykata Penale e Brabant Wallon i pezulloi procedimet sine die.
E. Ngjarje të reja të lidhura me çështjen
24. Më 25 shtator 2015, PP vendosi të zgjaste periudhën e hetimeve për tre muaj të tjerë, për shkak të dosjeve voluminoze të dërguara nga Belgjika, në kuadër të ndihmës ligjore të ndërsjellë, kompleksitetit të çështjes, nevojës për të marrë më shumë njerëz në pyetje etj. Më 29 shtator 2015, kërkuesi e kundërshtoi vendimin e PP së datës 25 shtator 2015, në Gjykatën e Lartë.
25. Më 2 tetor 2015, kërkuesi paraqiti kërkesën që “masa e sigurisë personale” e ndalimit të ndryshohej në arrest shtëpie. Më datë 12 tetor 2015, Gjykata e Lartë e kundërshtoi lutjen e kërkuesit. Ajo gjykonte se ekzistonte ende rreziku për arratisje dhe rreziku që kërkuesi të manipulonte mbledhjen e provave.
26. Sipas dosjes së çështjes rezulton se kërkuesi e humbi mandatin e tij si deputet më 20 tetor 2015. Për këtë arsye, më 17 dhjetor 2015, Gjykata e Lartë, me kërkesën e PP, vendosi ta pushonte çështjen, duke nënvizuar se kompetenca për shqyrtimin e masës së sigurimit personal i takon gjykatës, e cila shqyrton themelin e çështjes.
27. Më 26 prill 2016, Gjykata e Rrethit Tiranë vendosi që kërkuesi duhej të qëndronte në arrest. Më 3 maj 2016, kërkuesi e kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë. Gjykata nuk është informuar për ndonjë rezultat të këtyre procedimeve.
II. LIGJI PËRKATËS I BRENDSHËM
A. Akuzat penale ndaj kërkuesit
28. Neni 78 i Kodit Penal (“KP”) parashikon veprën e vrasjes me paramendim, e cila dënohet me pesëmbëdhjetë deri në njëzet e pesë vite burgim.
29. Neni 257/a i KP-së e konsideron shkelje veprimin e personave, të cilët janë nën detyrimin ligjor për të deklaruar pasurinë e tyre, or që refuzojnë ta bëjnë një deklarim të tillë, ose nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, japin një deklaratë të rreme ose fshihnin pasurinë. Vepra është e dënueshme me gjobë ose deri në tri vite burgim.
30. Neni 287 i KP-së parashikon veprën e pastrimit të produkteve të një vepre ose aktiviteti penal, një vepër e cila dënohet nga pesë deri në 10 vjet burgim.
31. Neni 305 i KP-së parashikon se kallëzimi i rremë i një krimi është i dënueshëm me një gjobë ose deri në pesë vjet burgim. Neni 305/a i KP-së parashikon se vepra e dhënies së një deklarate të rreme përpara një prokurori është e dënueshme me një gjobë ose deri në një vit burgim. Neni 312/a i KP-së parashikon se kërcënimi i një personi për marrjen, inter alia, e deklaratave të rreme, dëshmisë, një përkthimi ose raportin e një eksperti, dënohet nga një deri në 4 vite burgim.
B. Arrestimi i një deputeti
32. Neni 73 § 2 i Kushtetutës, i ndryshuar, parashikon se autorizimi i Parlamentit, midis të tjerash, kërkohet përpara se të urdhërohet arresti i një deputeti ose privimi i tij nga liria. Neni 141 i Kushtetutës parashikon se Gjykata e Lartë ka juridiksionin fillestar, në shqyrtimin e akuzave penale ndaj një deputeti. Neni 28 § 2 i Kushtetutës parashikon se cilido person, të cilit i është privuar liria, duhet, brenda dyzet e tetë orëve, të dërgohet përpara një gjyqtari, i cili do të vendosë për ligjshmërinë e arrestimit ose të ndalimit të tij.
33. Neni 289 § 1 i Kodit të Procedurës Penale (“KPP”), në periudhën konkrete, parashikonte se:
“Neni 289
Ndalimi për të vepruar
1. Arrestimi, lëshimi i masave të sigurimit personal, kërkimet, kontrolli i personit, identifikimi, përballja dhe përgjimi i bashkëbisedimeve ose i komunikimit të personit për të cilin kërkohet autorizim, nuk lejohet deri në lëshimin e autorizimit për procedim penal. Ai mund të merret në pyetje vetëm nëse ai bën një kërkesë për një gjë të tillë.”.
C. Masat e sigurisë personale
34. Sipas nenit 228 § 1 të KPP-së, masa e sigurimit personal mund të jepet, nëse, sipas provave, ekziston dyshimi i arsyeshëm se një i akuzuar ka kryer një krim. Sipas nenit 228 § 2 të KPP-së, nuk vendoset asnjë masë sigurimi , kur ka arsye për shfajësim ose kur vepra penale ndalon së ekzistuari. Sipas nenit 228 § 3 të KPP-së, masat e sigurimit vendosen kur: a) ekzistojnë shkaqe të rëndësishme, të cilat vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës; b) i pandehuri është larguar, ose ekziston rreziku që ai të largohet; c) kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.
35. Sipas nenit 229 § 1 të KPP-së, në caktimin e masave të sigurimit, gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit, që duhen marrë në rastin konkret. Sipas nenit 229/2 të KPP-së, gjykata duhet ët mbajë parasysh edhe peshën e veprës penale, kohëzgjatjen e saj, ndëshkimin e parashikuar, përsëritjen, si edhe rrethanat lehtësuese dhe shtrënguese.
36. Neni 230 § 1 i KPP-së parashikon se KPP-ja përcakton se arresti në burg mund të ushtrohet në rast se asnjë masë tjetër sigurimi nuk është e përshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit.
37. Sipas neni 232 të KPP-së, gjykata mund të urdhërojë, midis të tjerash, arrestin në shtëpi ose arrestimi i një të dyshuari në paraburgim si masë sigurimi.
38. Neni 253 § 1 i KPP-së parashikon se kur ka shkaqe të bazuara për të menduar se ka rrezik ikjeje, prokurori urdhëron ndalimin e personit që dyshohet për një krim, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se katër vjet.
39. Prokurori do të kërkojë njohjen e ligjshmërisë së arrestimit ose ndalimit të nj të dyshuari, në përputhje me nenin 258 të KPP-së. Sipas nenit 259 § 1 të KPP-së, seanca dëgjimore në lidhje me njohjen e ligjshmërisë së arrestit duhet të ndodhë në prani të prokurorit dhe avokatit të të dyshuarit. Gjykata dëgjon të dyja palët dhe shqyrton provat e paraqitur tek ajo (neni 259 § 2 i KPP-së). Nëse gjykata i vlerëson provat si të ligjshme, ajo e njeh atë. vendimi i gjykatës mund të apelohet në një gjykatë më të lartë (neni 259 § 3 i KPP-së).
D. Transferimi i procedimeve
40. Konventa Evropiane për Transferimin e Procedime në Çështjet Penale (“Konventa e Transferimit”) hyri në fuqi për Shqipërinë, më 5 korrik 2000 dhe për Belgjikën, më 15 maj 1972. Sipas kësaj Konvente, çdo Palë mund t’i kërkojë Palës tjetër të ndërmarrë procedime kundër një të dyshuari në vend të saj (neni 6). Një kërkesë e tillë mund të bëhet: nëse i dyshuari është banues në shtetin dënues, ose nëse ai/ajo është shtetas i atij Shteti; nëse i dyshuari po i nënshtrohet ose do t’i nënshtrohet një dënimi, i cili përfshin privimin e lirisë në shtetin dënues; ose nëse po ndërmerren procedime për të njëjtat shkelje ose për shkelje të tjera ndaj të dyshuarit në Shtetin dënues (neni 8). Procedimet nuk mund të ndërmerren në Shtetin dënues, në rast se vepra, për të cilën janë kërkuar procedimet, nuk është një vepër në territorin e tij, dhe kur, nën këto rrethana, krimineli do t’i nënshtrohej sanksioneve sipas ligjit të tij, gjithashtu (neni 7).
41. Neni 6 i KP-së parashikon se ligji penal shqiptar zbatohet për një shtetas shqiptar, i cili ka kryer një vepër në territorin e një vendi tjetër, në rast se ajo vepër është e dënueshme sipas ligjit shqiptar dhe nëse një gjykatë e huaj nuk ka dhënë një vendim të formës së prerë.
42. Sipas aktit për marrëdhëniet juridiksionale (ligji nr. 10193, i datës 3 dhjetor 2009), një urdhërarresti ndërkombëtar transmetohet nga Interpol Tirana te Ministria e Drejtësisë, e cila e transmeton atë te PP (seksioni 38 § 1–3). Në rast se PP nuk procedon me ndalimin e të dyshuarit, ajo e hedh informacionin në urdhërarrest në regjistrin e njoftimeve për veprat penale, me qëllimin për të ndërmarrë procedime penale. Ministria e Drejtësisë njoftohet për atë vendim (seksioni 38 § 7).
LIGJI
I. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 5 § 1 (c) TË KONVENTËS
43. Kërkuesi u ankua se arrestimi i tij, për grupin e tretë të procedimeve penale shkel nenin 5 § 1 (c) të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
...
c) kur është arrestuar dhe paraburgosur për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent, kur ka arsye të besueshme për të dyshuar se ai ka kryer një vepër penale ose kur ka motive të arsyeshme për të besuar se është e nevojshme që të pengohet të kryejë një vepër penale ose të largohet pas kryerjes së saj [.]”
44. Qeveria e kundërshtoi atë.
A. Pranueshmëria
45. Qeveria parashtroi se ankesat e kërkuesit në lidhje me rezultatin e çështjes, dhe se duke paraqitur kërkesën në Gjykatë, ai e konsideronte Gjykatën si një gjykatë e shkallës së katërt. Gjithashtu, Qeveria parashtroi se kërkuesi nuk kishte statusin e viktimës dhe se ankesa e tij duhet të konsiderohet si abuzim ndaj procesit. Së fundmi, Qeveria parashtroi se ankesa e kërkuesit nuk kishte asnjë cilësi të themelit, dhe për këtë arsye, Gjykata duhet ta rrëzojë atë si të paprovuar dhe dukshëm të pabazuar në fakte.
46. Kërkuesi i kundërshtoi vërejtjet e Qeverisë dhe parashtroi se ankesa e tij ishte e pranueshme.
47. Gjykata vëren se kërkuesi u arrestua më 26 mars 2015, pas dhënies së autorizimit nga Parlamenti në lidhje me grupin e parë të procedimeve kundër tij. Në vijim, Gjykata vëren se autorizimi i Parlamentit është kërkuar edhe në kuadër të grupit të dytë të procedimeve penale dhe është lëshuar më 2 prill 2015, dhe se më 1 prill 2015, prokuroria vendosi të bashkonte grupin e tretë të procedimeve penale me grupin e dytë të procedimeve penale ndaj kërkuesit. Sipas parashtrimeve të palëve, Gjykata konstaton se ankesa e kërkuesit ngrinte probleme serioze në lidhje me faktin dhe ligjin për sa i përket ligjshmërisë së arrestimit të kërkuesit, në lidhje me grupin e tretë të procedimeve penale sipas Konventës, përcaktimi i së cilës kërkon një shqyrtim të themelit. Për arsyet e parashtruara më poshtë, Gjykata konstaton se kërkesa për grupin e tretë të procedimeve penale nuk është dukshëm e pambështetur në fakte, sipas nenit 35 §§ 3 (a) të Konventës. Në vijim, ajo vëren se kërkesa nuk është e papranueshme për ndonjë shkak tjetër. Për këtë arsye, ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
B. Themeli
1. Parashtrimet e palëve
48. Kërkuesi pretendonte se arrestimi i tij për akuzat mbështetur në nenet 257/a dhe 287 të KP-së, kishte qenë i paligjshëm. Në përputhje me nenin 73 § 2 të Kushtetutës, autorizimi i Parlamentit ishte i nevojshëm, përpara se të urdhërohej arrestimi i tij. Duke bashkuar grupin e dytë dhe të tretë të procedimeve, PP dhe gjykatat vendase kishin ndërmarrë rolin e Parlamentit. Duke bërë një gjë të tillë, ata kishin vepruar në shkelje të dispozitave kushtetuese.
49. Në vijim, kërkuesi deklaroi se PP nuk kishte kërkuar kurrë autorizimin e Parlamentit për arrestimin e tij në lidhje me akuzat sipas neneve 257/a dhe 287 të Kodit Penal.
50. Kërkuesi pretendonte se vendimet e gjykatës vendase, të cilat njihnin arrestimin e tij kishin qenë arbitrare. As Gjykata e Lartë dhe as Gjykata Kushtetuese nuk kishin identifikuar faktin se ai ishte arrestuar pa autorizimin paraprak të Parlamentit. Prokurori nuk kishte mundur të provonte se kishte pasur në të vërtetë një rrezik për arratisje, dhe duke deklaruar se zbatimi i masës arrest shtëpie “nuk mund të sigurohej plotësisht” nuk kishte qenë mjaftueshëm.
51. Qeveria parashtroi se, në përputhje me Kushtetutën, ndryshuar në vitin 2012, Parlamentit nuk i ishte bërë asnjë kërkesë për të lëshuar autorizimin për PP, në mënyrë që të ndërmerrte procedime penale ndaj deputetëve. Një autorizim i tillë paraprak kërkohej, inter alia, vetëm për arrestimin ose ndalimin e deputetëve. Në vijim, Qeveria deklaroi se PP kishte vepruar në përputhje me nenin 5 § 1 (c) të Konventës. Arrestimi i kërkuesit kishte qenë i ligjshëm, duke marrë parasysh faktin se kishte ekzistuar një dyshim i arsyeshëm për rrezikun e arratisjes dhe se kërkuesi ishte akuzuar për vepra penale të dënueshme me të paktën dy vite burgim. Dyshimi i arsyeshëm ishte mbështetur me të dhëna. Në përfundim, sipas Qeverisë, arrestimi i kërkuesit kishte qenë në përputhje të plotë me nenin 229 të KPP-së dhe me nenin 5 § 1 (c) të Konventës.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Parime të përgjithshme
52. Gjykata përsërit se neni 5 § 1 i Konventës përmban një listë shteruese arsyesh të lejueshme për privimin nga liria. Asnjë privim nga liria nuk është i ligjshëm në rast se nuk përfshihet në një nga shkaqet e parashikuara në nënparagrafët “a” deri në “f” të nenit 5 § 1 (shih për shembull, Mitrović kundër Serbisë, nr. 52142/12, § 41, 21 mars 2017).
53. Gjykata përsërit se autoritetet duhet të respektojnë kërkesat e parashtruara në ligjin e brendshëm, gjatë procedimeve në lidhje me arrestin (shih Grori kundër Shqipërisë, nr. 25336/04, § 149, 7 korrik 2009). Duke qenë se i takon autoriteteve vendase, më konkretisht gjykatave, që të interpretojnë dhe zbatojnë ligjin e brendshëm, përderisa mosrespektimi i ligjit të brendshëm passjellë një shkelje të Konventës sipas nenit 5 § 1, atëherë, Gjykata mund dhe duhet të ushtrojë një autoritet të caktuar për të shqyrtuar një pajtim të tillë (shih, për shembull M.S. kundër Kroacisë (nr. 2), nr. 75450/12, § 141, 19 shkurt 2015).
b) Zbatimi i parimeve të përgjithshme të çështjes konkrete
54. Gjykata është e mendimit se problemi qendror në çështjen në fjalë është nëse arrestimi i kërkuesit në lidhje me grupin e tretë të procedimeve penale ishte “i ligjshëm” sipas interpretimit të nenit 5 § 1, duke përfshirë faktin nëse është zbatuar “në përputhje me një procedurë të parashikuar nga ligji”. Gjykata përsërit se Konventa i referohet kryesisht ligjit vendas, por gjithashtu ajo kërkon që çdo masë e cila e privon individin nga liria e tij të jetë në pajtim me qëllimin e nenit 5, më konkretisht të mbrojë individin nga arbitrariteti (shih, për shembull, Lukanov kundër Bullgarisë, 20 mars 1997, § 41, raportet e gjykimeve dhe vendimeve 1997-II, dhe Creangă kundër Rumanisë [DHM], nr. 29226/03, Creangă 84, 23 shkurt 2012).
55. Duke iu rikthyer çështjes në fjalë, Gjykata vëren se kërkuesi u arrestua dhe u vendos në paraburgim më 26 mars 2015, pas autorizimit të Parlamentit dhënë në lidhje me grupin e parë të procedimeve kundër tij. Gjithashtu, Parlamenti dha autorizimin për arrestimin e kërkuesit në lidhje me grupin e dytë të procedimeve, më 2 prill 2015. Gjykata vëren se kërkuesit iu privua liria më 26 mars 2015, sepse autorizimi i Parlamentit dhënë me qëllimin për të urdhëruar arrestimin e kërkuesit nuk përmendte akuzat sipas nenit 257/a dhe 287 të KP-së. Në të vërtetë, KPP-ja ndërmori procedime penale ndaj kërkuesit në lidhje me grupin e tretë të procedimeve më 1 prill 2015, dhe në të njëjtën ditë, vendosi të bashkonte grupin e procedimeve me grupin e dytë të procedimeve ndaj kërkuesit. Vendimi i Parlamentit për të dhënë autorizimin për arrestimin e kërkuesit u mor mbështetur në atë kërkesë. Nën këto rrethana, Gjykata pranon se Parlamenti mund të mos jetë informuar se ai u thirr për të vendosur edhe në lidhje me grupin e tretë të procedimeve penale, përveç akuzave, sipas nenit 78/1 dhe 25 të KP-së, bë grupin e dytë të procedimeve penale. Megjithatë, Gjykata vëren se edhe pse Parlamenti, në fakt, nuk e dha autorizimin për arrestimin e kërkuesit në lidhje me grupin e tretë të procedimeve, privimi i lirisë së tij gjithsesi ishte i ligjshëm në kuadrin e procedimeve të para dhe të dyta penale. Për këtë arsye, edhe pse autoritetet nuk i kërkuan specifikisht autorizimin e Parlamentit për arrestim, në lidhje me grupin e tretë të procedimeve, ky fakt nuk e bënte arrestimin e kërkuesit të paligjshëm, duke qenë se e gjithë periudha e arrestimit ishte “arrestim i ligjshëm” sipas grupit të parë dhe të dytë të procedimeve, për të cilat Parlamenti kishte dhënë autorizimin e tij (shih, mutatis mutandis, Borisenko kundër Ukrainës, nr. 25725/02, § 44, 12 janar 2012, dhe Porowski kundër Polonisë, nr. 34458/03, §§ 104–106, 21 mars 2017).
56. Në këtë mënyrë, në çështjen konkrete është shkelur neni 5 § 1 i Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NË MËNYRË UNANIME,
1. E shpall kërkesën të pranueshme;
2. Gjykon se nuk ka pasur shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës.
Hartuar në anglisht dhe njoftuar me shkrim, më datë 18 shtator 2018, bazuar në Rregullin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Robert Spano
KRYETAR
Stanley Naismith
KRYESEKRETAR
Full & Egal Universal Law Academy