GÄFGEN kundër GJERMANISË
(kërkesa nr. 22978/05)
1 qershor 2010
Dhomë e Madhe
kjo çështje që lidhet me fakte tepër tragjike ka të bëjë me problemin juridik tepër kompleks të kërcënimit të përdorimit të torturës nga policia kur mendohet se interesa kardinale, si jeta e një fëmije, janë në rrezik, dhe të pasojave juridike që prodhon një kërcënim i tillë
I. Faktet kryesore
1.Kërkuesi, Magnus Gäfgen, është shtetas gjerman i cili ka lindur në vitin 1975. Ai mbahet aktualisht në një burg në Gjermani. Më 27 shtator 2002, kërkuesi e kishte gënjyer J, që ishte djali 11 vjeçar i një familje bankierësh nga Frankfurti, të cilin ai e njihte nga e motra e tij. Kërkuesi e kishte ftuar J. në apartamentin e tij dhe e kishte mbytur duke i zënë frymën dhe pastaj kishte fshehur kufomën. Më pas, kërkuesi depozituar një kërkesë shpërblim në shtëpinë e prindërve të J., duke iu kërkuar që të paguanin një milion euro për ta parë përsëri fëmijën e tyre. Më 30 shtator 2002 Z. Gäfgen mori shpërblimin e kërkuar në një stacion tramvaji. Ai u vu nën mbikëqyrjen e policisë dhe u arrestua nga policia disa orë më vonë. Më 1 tetor 2002, një nga oficerët e policisë, përgjegjës për marrjen në pyetje të Z. Gäfgen, nën udhëzimet e Zëvendës Shefit të Policisë së Frankfurtit, e paralajmëroi kërkuesin se ai do të përballej me vuajtje të konsiderueshme në qoftë se këmbëngulte në refuzimin për të treguar vendndodhjen e fëmijës. Duke menduar se J. ishte ende gjallë, policia vlerësoi se kërcënimi ishte e nevojshëm përderisa jeta J. ishte në rrezik të madh nga mungesa e ushqimit dhe i ftohti. Si rezultat i këtyre kërcënimeve, kërkuesi zbuloi ku e kishte fshehur trupin e J. Pas këtij rrëfimi, policia shkoi në vendin e treguar dhe siguroi prova të mëtejshme, sidomos kufomën dhe gjurmët e gomave të makinës së kërkuesit në baltë.
2.Në fillim të procesit penal kundër kërkuesit, gjykata rajonale e Frankfurtit në një procedurë paraprake vendosi që jo të gjitha rrëfimet e tij të bëra gjatë hetimeve mund të përdoret si provë në gjykim përderisa ishin marrë nën shtrëngim, në shkelje të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 3 të KEDNJ. Ajo madje vendosi se kërcënimet dhe presionet ndaj kërkuesit kishin shkelur nenin 136 a) të Kodit të Procedurës Penale dhe nenin 3 të KEDNJ. Megjithatë, gjykata rajonale lejoi përdorimin në procesin penal të provave materiale të marra si rezultat i deklaratave të nxjerra nga kërkuesit nën shtrëngim. Më 28 korrik 2003 kërkuesi u shpall fajtor për rrëmbimin dhe vrasjen e J. dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Gjykata gjermane vlerësoi se krimi i tij ishte i një ashpërsie të veçantë, dhe prandaj ai do të mund të lirohej me kusht vetëm pas 15 vitesh burg. Ajo u shpreh se, pavarësisht nga fakti se kërkuesi ishte informuar në fillim të gjyqit të tij për të drejtën e tij për të heshtur dhe se të gjitha deklaratat e tij të mëparshme nuk mund të përdoren si provë kundër tij, ai megjithatë përsëri pranoi se ai kishte rrëmbyer dhe vrarë J. Konstatimet e gjykatës rajonale gjermane në lidhje faktet janë të bazuara kryesisht në këtë rrëfim. Gjykata u mbështet edhe në provat e siguruara si rezultat i rrëfimit të parë të kërkuesit, përkatësisht raportin e autopsisë dhe gjurmët e gomave në baltë dhe në prova të tjera të marra si rezultat i ndjekjes së kërkuesit pasi ai kishte marrë paratë, të zbuluara më vonë në banesën e tij ose të derdhura në llogaritë e tij.
3.Kërkuesi depozitoi një padi mbi pikat e ligjit në Gjykatën Federale të Drejtësisë e cila e hodhi poshtë atë. Ai më pas bëri një kërkesë në Gjykatën Federale Kushtetuese, e cila e konsideroi kërkesën të papranueshme. Gjykata Federale Kushtetuese konfirmoi vlerësimin e e gjykatës rajonale të Frankfurtit që kërcënimi i kërkuesit me ushtrim dhune në mënyrë që të tregonte përbënte një metodë të ndaluar të marrjes në pyetje në bazë të legjislacionit të brendshëm dhe ka shkelur nenin 3 të Konventës. Megjithatë ajo arriti në përfundimin se ky konstatim i kishte dhënë përgjigje pretendimit të kërkuesit dhe një konstatim i tillë nuk nënkuptonte që procedura penale ndaj tij duhet të pushohej. Më 20 dhjetor 2004 dy policët e përfshirë në kërcënimin e kërkuesit u gjetën fajtorë për shtrëngim dhe nxitje të shtrëngimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe u dënuan me gjobë me kusht. Në dhjetor 2005, kërkuesi kërkoi ndihmë ligjore në mënyrë që të niste procedurat për shpërblim dëmi ndaj Landit të Hesen për shkak të traumave të pësuara nga metodat hetimore të policisë. Këto procedura ishin në vijim e sipër kur Gjykata e Strasburgut dha vendimin e mëposhtëm.
II.Vendimi i Gjykatës
4.Kërkuesi u ankua se i ishte nënshtruar torturës kur u mor në pyetje nga policia, në shkelje të nenit 3. Duke u bazuar në nenin 6, ai pretendoi gjithashtu se e drejta e tij për gjykim të drejtë ishte shkelur në mënyrë të veçantë me përdorimin e provave të siguruara si rezultati i rrëfimeve të tij të marra nën shtrëngim. Në gjykimin e 30 qershorit 2008 një Dhomë e Seksionit V konstatoi se nuk ka pasur shkelje të neneve 3 dhe 6 të Konventës. Më 1 dhjetor 2008, çështja iu kalua Dhomës së Madhe nga Paneli, pas kërkesës së kërkuesit.
A. Në lidhje me nenin 3
5.Gjykata konsideroi se në rastin konkret kërcënimet ndaj kërkuesit me qëllim nxjerrjen e informacionit prej tij ishin mjaft serioze për t’u kualifikuar si trajtim çnjerëzor dhe përfshiheshin brenda sferës së veprimit të nenit 3. Gjykata ishte e kënaqur që gjykatat gjermane, si në procedurën penale kundër kërkuesit edhe në atë kundër oficerëve të policisë, pranuan shprehimisht dhe në mënyrë të qartë se marrja në pyetje e kërkuesit kishte shkelur nenin 3. Ajo vuri re, megjithatë, që policët, pasi ishin gjetur fajtorë, respektivisht për shtrëngim dhe nxitje të shtrëngimit gjatë ushtrimit të detyrës, u dënuan me sanksione tepër modeste, me gjobë me kusht.
6.Për sa i përket kompensimit për të korrigjuar shkeljen e Konventës, Gjykata vërejti se kërkesa e kërkuesit për ndihmë juridike për padi për shpërblim dëmi ndaj Landit të Hesse, është në shqyrtim prej më shumë se tre vjetësh dhe se nuk ishte marrë ende asnjë vendim mbi themelin e kësaj kerkese. Dështimi i gjykatave të brendshme për të vendosur mbi meritat e padisë ngre dyshime serioze për efikasitetin e procedurës për shpërblim dëmi ndaj autoritetit publik. Për këtë arsye Gjykata arriti në përfundimin se autoritetet gjermane nuk i kishin ofruar kërkuesit një shpërblim të mjaftueshëm për trajtimin e pësuar dhe prandaj Gjermania kishte shkelur nenin 3.
B. Në lidhje me nenin 6
7.Në jurisprudencën e saj, Gjykata ka theksuar se përdorimi i provave të marra nga metoda që janë në shkelje të nenit 3 ngre çështje serioze në lidhje me drejtësinë e procedurës penale. Në këtë kuadër, ajo duhet të përcaktonte nëse procedurat kundër kërkuesit, në tërësinë e tyre, kanë qenë të padrejta për shkak të përdorimit të provave të tilla në procesin kundër tij. Në rastin në fjalë, ishte rrëfimi i ri i kërkuesit gjatë seancave gjyqësore - pasi ishte informuar se të gjitha deklaratat e tij të mëparshme nuk mund të përdoreshin si prova kundër tij – që kishte përbërë bazën për gjetjen fajtor dhe dënimin e tij. Gjykata konstatoi se dëshmitë e tij të mëparshme nuk kishin qenë pra të nevojshme për të gjetur atë fajtor dhe për të caktuar dënimin e tij. Në dritën e këtyre konsideratave, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e veçanta të rastit, dështimi i gjykatave vendase për të përjashtuar provat e kundërshtuara, të siguruara pas një deklarate të nxjerrë me anë të trajtimit çnjerëzor, nuk ka pasur një ndikim në gjejtjen fajtor dhe dënimin e kërkuesit. Të drejtat e mbrojtjes e kërkuesit ishin respektuar, dhe procesi ndaj tij, në tërësi, duhet konsideruar se ka qenë i drejtë. Gjykata arriti në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 6.
C. Në lidhje me nenin 41
8.Kërkuesi nuk kërkoi asnjë shpërblim për dëmin pasuror ose jopasuror, por theksoi se qëllimi i kërkesës së tij në Strasburg ishte për të rifitonte një rigjykim të çështjes në Gjermani. Përderisa nuk gjeti shkelje të nenit 6, Gjykata konsideroi se nuk kishte arsye që të sugjerohej rigjykimi ose rihapja e çështjes së kërkuesit para gjykatave të brendshme.
Full & Egal Universal Law Academy