Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA GALLARDO SANCHEZ kundër ITALISË
(Kërkesa nr. 11620/07)
VENDIM
STRASBURG
24 mars 2015
PËRFUNDIMTAR
24/06/2015
Ky vendim do të bëhet përfundimtar sipas nenit 44 § 2 i Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen Gallardo Sanchez kundër Italisë,
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (seksioni i katërt), mbledhur në dhomë të përbërë nga:
Päivi Hirvelä, kryetare,
Guido Raimondi,
George Nicolaou,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Paul Mahoney,
Krzysztof Wojtyczek, gjyqtarë,
dhe ngaFatoş Aracı, zëvendës-kancelar i seksionit,
Pasi diskutoi në Dhomën e Këshillimit në 3 mars 2015,
Dha vendimin e mëposhtëm, të miratuar në datën e mësipërme:
PROCEDURA
1. Çështja nis me kërkesën nr.11620/07 drejtuar kundër Republikës italiane, pasi një shtetas venezuelian, M. Manuel Rogelio Gallardo Sanchez (“kërkuesi”) i është drejtuar Gjykatës në 7 mars 2007 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Kërkuesi është përfaqësuar para Gjykatës nga Z. S. Koulouroudi, avokat në Athinë. Qeveria italiane (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjentja e saj Znj. E. Spatafora.
3. Kërkuesi pretendon se kohëzgjatja e paraburgimit për qëllim ekstradimi ka çuar në shkeljen e nenit 5 § 3 të Konventës.
4. Kjo ankesë është ri cilësuar në këndvështrimin e nenit 5 § 1 f). Në 2 maj 2013, kërkesa i është komunikuar Qeverisë.
5. Në 16 dhjetor 2013, një kopje e vërejtjeve të Qeverisë iu dërgua përfaqësuesit të kërkuesit, me qëllim për ta ftuar të sillte si përgjigje para Gjykatës vërejtjet e tij dhe kërkesat lidhur me dëmshpërblimin e drejtë. Pavarësisht interesit të shfaqur nga kërkuesi që tregon vullnetin e tij për të vazhduar shqyrtimin e çështjes, përfaqësuesi i tij nuk i ka dërguar vërejtjet në afatin e kërkuar.
PËRSHKRIMI I FAKTEVE
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Faktet e çështjes, ashtu si janë paraqitur nga palët, mund të përmblidhen si vijon.
7. Kërkuesi, M. Manuel Rogelio Gallardo Sanchez, është një shtetas venezuelian i lindur në 1965 dhe banues në Kap.
8. Në 19 prill 2005, kërkuesi, i akuzuar për zjarr vënie me dashje nga autoritetet greke, u vendos në paraburgim në pritje të ekstradimit nga policia e Romës, në zbatim të një mandat arresti të lëshuar nga gjykata e Apelit e Athinës në 26 janar 2005, sipas Konventës Evropiane të Ekstradimit të 13 dhjetorit 1957.
9. Në 22 prill 2005, gjykata e Apelit e Akuilas shpalli të vlefshëm arrestimin e kërkuesit dhe urdhëroi mbajtjen e tij në paraburgim.
10. Në 26 prill 2005, Ministria e Drejtësisë i kërkoi gjykatës së Apelit mbajtjen e kërkuesit në paraburgim.
11. Gjatë seancës së 27 prillit 2005, kryetari i gjykatës së Apelit, duke u bazuar në nenin 717 të Kodit të Procedurës Penale (KPP) (paragrafi 25 si më poshtë), bëri identifikimin e kërkuesit dhe e pyeti nëse pranonte të ekstradohej. I interesuari nuk e pranoi ekstradimin.
12. Në 9 qershor 2005, Ministria e Drejtësisë informoi gjykatën e Apelit se, në 25 maj 2005, autoritetet greke kishin dërguar një kërkesë ekstradimi të shoqëruar me të gjitha dokumentet e duhura në mbështetje të kërkesës së tyre.
13. Në 21 qershor 2005, prokuroria i kërkoi gjykatës së Apelit të pranonte kërkesën e ekstradimit.
14. Seanca u caktua për në 15 dhjetor 2005. Me kërkesë të përfaqësuesit të kërkuesit, seanca u shty për në 12 janar 2006.
15. Pa kryer asnjë hetim, gjykata e Apelit dha mendimin pro ekstradimit me një vendim të 12 janarit 2006, të depozituar në 30 janar 2006. Ajo verifikoi pajtueshmërinë e kërkesës së ekstradimit me Konventën Evropiane të Ekstradimit dhe respektimin e parimeve të ne bis in idem dhe të inkriminimit të dyfishtë, dhe rrëzoi hipotezën sipas të cilës ndjekja penale kishte pasur arsye me natyrë diskriminuese dhe raciale.
16. Në 3 mars 2006, kërkuesi paraqiti një rekurs në gjykatën e Kasacionit, duke pretenduar veçanërisht se kërkesa e ekstradimit lidhur me të ishte dërguar nga autoritetet greke pas afatit prej dyzet ditësh të parashikuar nga neni 16 § 4 i Konventës Evropiane të Ekstradimit, çka sillte si pasojë, sipas tij, paligjshmërinë e paraburgimit.
17. Me një vendim të 11 majit 2006, të depozituar në sekretari në 18 shtator 2006, Gjykata e Kasacionit e hodhi poshtë rekursin me një arsyetim prej një faqe, pikërisht për shkak të faktit se kërkesa për ekstradim kishte ardhur brenda afatit të parashikuar nga Konventa Evropiane e Ekstradimit dhe për faktin se ajo nuk kishte kompetencë të vendoste mbi çështjen nëse ekzistonin indice serioze fajësie.
18. Ndërkohë, tri herë radhazi, brenda muajve qershor-shtator 2005, kërkuesi i kishte kërkuar, më kot, lirimin e tij gjykatës së Apelit të Romës. Në vendimin e fundit të 27 tetorit 2005, miratuar në dhomën e këshillimit në respektim të parimit të kontradiktoritetit, dhe pa kryer asnjë hetim, Gjykata e Apelit nënvizoi se nuk kishte asnjë arsye të shmangej nga dy vendimet e tjera që kishin rrëzuar ankimet të miratuara më parë duke marrë parasysh, nga njëra anë, rrezikun e vazhdueshëm të arratisjes së kërkuesit pavarësisht faktit se autoritetet e kishin privuar nga pasaporta dhe, nga ana tjetër, detyrimin për të respektuar angazhimet ndërkombëtare të Shtetit.
19. Në 9 tetor 2006, Ministri i Drejtësisë nënshkroi vendimin e ekstradimit.
20. Në 26 tetor 2006, kërkuesi u ekstradua.
II. BURIMET NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
21. Konventa Evropiane e Ekstradimit, e nënshkruar në Paris në 13 dhjetor 1957, e ratifikuar nga Italia përmes ligjit nr. 300, e 30 janarit 1963 dhe hyrë në fuqi për Italinë në 4 nëntor 1963, pastaj ndryshuar nga protokolli i dytë shtesë i nënshkruar në 17 mars 1978, hyri në fuqi për Italinë në 23 prill 1985. Ajo parashikon si vijon:
Neni 8 – Ndjekje në vazhdim për të njëjtat vepra
“Një palë e kërkuar mund ta refuzojë ekstradimin që kërkohet për një individ, nëse ky bëhet objekt ndjekjeje prej saj për një ose shumë vepra për të cilat kërkohet ekstradimi.
Neni 9 – Non bis in idem
Ekstradimi nuk akordohet kur individi i kërkuar është gjykuar përfundimisht nga autoritetet kompetente të Palës së kërkuar, për një ose shumë vepra që janë bërë shkas për kërkesën e ekstradimit. Ekstradimi mund të refuzohet nëse autoritetet kompetente të Palës së kërkuar vendosin të mos ndërmarrin ndjekje penale ose t’u japin fund ndjekjeve që janë bërë për të njëjtën ose të njëjtat vepra.
Neni 12 – Kërkesa dhe dokumente në mbështetje të saj
1. Kërkesa (për ekstradimin) formulohet me shkrim dhe paraqitet nga Ministria e Drejtësisë e Palës kërkuese, Ministrisë së Drejtësisë së Palës së kërkuar; gjithsesi, rruga diplomatike nuk përjashtohet. Një rrugë tjetër mund të vendoset përmes rregullimit ose marrëveshjes së drejtpërdrejtë midis dy ose më shumë Palëve.
2. Do të paraqiten në mbështetje të kërkesës:
a. origjinali ose kopja e vërtetuar, qoftë ajo e vendimit për një dënim për t’u zbatuar, qoftë ajo e një urdhri arresti, ose çdo akti tjetër që kanë të njëjtën forcë vepruese, lëshuar sipas rregullave që parashikon ligji i Palës kërkuese;
b. një pasqyrë e fakteve në bazë të të cilëve është kërkuar ekstradimi. Koha dhe vendi i kryerjes së shkeljeve në fjalë, cilësimi i tyre ligjor dhe referimet në dispozitat ligjore që janë të zbatueshme në këto raste, të cilat duhet të përcaktohen sa më saktë të jetë e mundur; si dhe
c. një kopje e dispozitave ligjore të zbatueshme ose, në rast se kjo nuk është e mundur, një deklaratë mbi të drejtën e zbatueshme, si dhe një përshkrim sa më i saktë i tipareve të individit të kërkuar, si dhe çdo informacion që mund të shërbejë për të përcaktuar identitetin dhe shtetësinë e tij.”
Neni 16 – Arrestimi i përkohshëm
1. Në raste urgjence, autoritetet kompetente të Palës së kërkuar mund të kërkojnë arrestimin e përkohshëm të individit të kërkuar; autoritetet kompetente të Palës së kërkuar do të vendosin për këtë kërkesë në përputhje me ligjin e kësaj Pale.
2. Në kërkesën për arrestim të përkohshëm do të shënohet ekzistenca e njërit prej dokumenteve të parashikuara në paragrafin 2, krye rreshti (a) i nenit 12 dhe do të theksohet se për këtë do të dërgohet një kërkesë për ekstradim; aty do të përmendet shkelja për të cilën kërkohet ekstradimi, koha dhe vendi ku është kryer ajo, si dhe brenda mundësive, të dhënat e individit të kërkuar.
3. Kërkesa për arrestim të përkohshëm do t’u transmetohet autoriteteve kompetente të Palës së kërkuar ose me rrugë diplomatike, ose drejtpërsëdrejti me postë, ose me telegram, ose përmes Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (Interpol), ose me çdo mjet tjetër që lëshon një vërtetim të shkruar, ose që pranohet nga Pala e kërkuar. Autoriteti kërkues do të njoftohet pa vonesë lidhur me rrugën që ka marrë kërkesa.
4. Arrestimi i përkohshëm mund të marrë fund në rast se, brenda një afati prej 18 ditësh pas arrestimit, Pala e kërkuar nuk ka marrë kërkesën e ekstradimit dhe për dokumentet shoqëruese që përmenden në nenin 12; ajo nuk duhet, në asnjë rast të kalojë përtej 40 ditëve pas arrestimit. Sidoqoftë, lirimi i përkohshëm është i mundshëm në çdo kohë, por Pala e kërkuar duhet të marrë çdo masë që e quan të nevojshme për të shmangur arratisjen e individit të kërkuar
5. Lirimi nuk përjashton një arrestim të ri dhe ekstradimin, nëse kërkesa për ekstradim mbërrin më vonë.”
III. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE E BRENDSHME
22. Për sa i përket zbatimit të masave të përkohshme, neni 715 i Kodit të Procedurës Penale (KPP) parashikon se, me kërkesë të një shteti të huaj, gjykata e Apelit mund të urdhërojë arrestimin e përkohshëm të një individi për procedurën e ekstradimit. Kërkesa mund të pranohet a) nëse shteti i huaj vepron në bazë të një vendimi për një dënim për t’u zbatuar, ose të një urdhër arresti dhe nëse angazhohet të paraqesë një kërkesë ekstradimi; b) nëse shteti i huaj ka paraqitur një përshkrim të veprave penale në mbështetje të kërkesës për ekstradim, ka treguar shkeljen për të cilën akuzohet individi i kërkuar dhe ka dhënë përshkrimin e tipareve të këtij të fundit ; c) nëse ka rrezik për arratisje. Zbatimi i masës i komunikohet autoriteteve të shtetit të huaj nga Ministri i Drejtësisë. Masa e arrestimit të përkohshëm hiqet kur shteti i huaj nuk sjell brenda afatit prej dyzet ditësh nga ky komunikim bërë Ministrive të Punëve të Jashtme ose të Drejtësisë, kërkesën për ekstradim dhe dokumentet në mbështetje të një kërkese të tillë.
23. Sipas nenit 716 § 3 KPP, kryetari i gjykatës së Apelit duhet ta vlerësojë të ligjshëm arrestimin e përkohshëm në një afat prej nëntëdhjetë e gjashtë orësh dhe të zbatojë eventualisht masën e paraburgimit të përkohshëm.
24. Sipas nenit 716 § 4KPP, masa e përkohshme hiqet nëse Ministria e Drejtësisë nuk i kërkon gjykatës së Apelit, në një afat prej dhjetë ditësh që nga vlerësimi si i ligjshëm i arrestimit të përkohshëm, mbajtjen e të interesuarit në paraburgim.
25. Sipas nenit 717 KPP, kur autoritetet urdhërojnë një arrestim të përkohshëm ose zbatojnë një masë të përkohshme, kryetari i gjykatës së Apelit cakton një seancë me qëllim që të identifikohet i interesuari dhe t’i kërkohet nëse e pranon ekstradimin e tij.
26. Sipas nenit 714 KPP, kohëzgjatja e paraburgimit të përkohshëm nuk mund të tejkalojë një vit e gjashtë muaj. Gjithsesi ajo mund të shtyhet deri në një periudhë maksimale të përgjithshme prej tre muajsh.
27. Sipas nenit 718 KPP, masa e paraburgimit të përkohshëm, me kërkesë të njërës prej palëve ose kryesisht, mund të hiqet nga gjykata e Apelit ose nga Gjykata e Kasacionit, duke vepruar si gjykatë e shkallës së parë. Gjykata e Apelit vendos në dhomën e këshillimit, pasi ka dëgjuar palët. Vendimi i gjykatës së Apelit mund të kundërshtohet para Gjykatës së Kasacionit në bazë të mjeteve të nxjerra nga shkelja e ligjit. Në këtë aspekt, Gjykata e Kasacionit, shumë herë radhazi, ka vendosur se nuk ka kompetencë për të shqyrtuar rekurset përmes të cilave një individ kërkon lirimin e tij me arsyen se rreziku për arratisje që fillimisht justifikonte paraburgimin e tij të përkohshëm nuk ekziston më (shih, si shembull, Gjykatën e Kasacionit, vendimin nr. 33545, i 7 shtatorit 2010, të depozituar në sekretari në 13 shtator 2010; në mënyrë më të përgjithshme, mbi mungesën e kompetencës për të shqyrtuar mjetet e nxjerra nga karakteri arbitrar i arsyetimit të vendimeve të gjykatës së Apelit, shih Gjykata e Kasacionit, vendimi nr. 37123, i 24 shtatorit 2012, të depozituar në sekretari në 26 shtator 2012).
28. Për sa i përket fazës gjyqësore të ekstradimit, sipas nenit 704 KPP, gjykata e Apelit vendos në dhomën e këshillimit, pasi ka dëgjuar palët dhe ka marrë eventualisht informacionet e përshtatshme si dhe ka kryer verifikimet e nevojshme. Ajo duhet të vendosë nëse kushtet e kërkuara nga e drejta ndërkombëtare dhe e drejta e brendshme janë përmbushur: përtej rregullave të parashikuara nga Konventa Evropiane e Ekstradimit, neni 705 KPP i detyron gjykatat të verifikojnë nëse personi i interesuar ndiqet për shkelje të natyrës politike, ose nëse ai rrezikon të gjykohet sipas procedurave në kundërshtim me të drejtat themelore ose nëse, sapo ekstradohet, personi rrezikon të vuajë trajtime çnjerëzore, poshtëruese, me karakter diskriminues ose, në çdo rast, në kundërshtim me njërën nga të drejtat themelore. Sipas të njëjtit nen, në rastin kur Konventa Evropiane e Ekstradimit zbatohet, gjykatat nuk mund të shqyrtojnë ekzistencën e indiceve serioze për fajësi (gravi indizi di colpevolezza).
29. Sipas nenit 706 KPP, ky vendim mund të kontestohet, de facto e de jure, para Gjykatës së Kasacionit, e cila vendos sipas procedurës të parashikuar nga neni 704 KPP.
30. Neni 708 KPP parashikon që Ministri i Drejtësisë vendos, në një afat prej dyzet e pesë ditësh pas depozitimit të vendimit të Gjykatës së Kasacionit pro ekstradimit, nëse individi duhet të ekstradohet. Në mungesë të një vendimi të tillë ose në rast vendimi negativ, masa e paraburgimit të përkohshëm duhet të hiqet.
PËRSHKRIMI I SË DREJTËS
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 5 § 1 (f) TË KONVENTËS
31. Kërkuesi ankohet për kohëzgjatjen e periudhës së paraburgimit që ka vuajtur për shkak të ekstradimit të tij. Ai denoncon lidhur me këtë një shkelje të nenit 5 § 3 të Konventës.
32. Duke pasur kompetencën e cilësimit juridik të fakteve të çështjes (shih, ndër të tjera, Guerra dhe të tjerë kundër Italisë, 19 shkurt 1998, § 44, Përmbledhje aktesh dhe vendimesh 1998‑I), Gjykata çmon se ka vend për të shqyrtuar kërkesën në këndvështrimin e nenit 5 § 1 f) të Konventës (shih, Quinn kundër Francës, 22 mars 1995, seria A nr.311, Chahal kundër Mbretërisë së Bashkuar, 15 nëntor 1996, Përmbledhje 1996‑V dhe Bogdanovski kundër Italisë, nr. 72177/01, 14 dhjetor 2006), e formuluar kështu:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
(...)
f) në rast kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi.
(...)”
A. Mbi pranueshmërinë
33. Duke konstatuar se kërkesa nuk është dukshëm e pabazuar sipas nenit 35 § 3 a) të Konventës dhe se nuk ka asnjë arsye për mospranueshmëri, Gjykata e deklaron të pranueshme.
B. Mbi themelin
1. Parashtrimet e palëve
34. Kërkuesi pretendon se kohëzgjatja e procedurës së ekstradimit ishte e zgjatur, po të merret parasysh karakteri sipas tij jo shumë i ndërlikuar i çështjes.
35. Qeveria i kundërshton pretendimet e kërkuesit. Ajo vlerëson se urdhri për paraburgimin në fjalë ka respektuar rregullat e ekstradimit, sikurse e kanë konstatuar gjykatat italiane, dhe se paraburgimi synonte vetëm t’ia dorëzonte kërkuesin drejtësisë së shtetit kërkues; ajo shton se kërkuesi nuk e ka pranuar ekstradimin, çka sipas saj, do të kishte lejuar të përshpejtohej procedura, dhe se vonesa në caktimin e seancës mbi themelin nga gjykata e Apelit justifikohet nga tri kërkesa për lirim që kërkuesi ka paraqitur brenda tre muajve. Së fundi, ajo mendon se procedurat që i ka shtyrë autoritetet italiane, juridiksionale dhe administrative, të autorizojnë ekstradimin është zhvilluar në afatet e parashikuara nga rregullat e të drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Mbi pajtueshmërinë e paraburgimit me të drejtën e brendshme
36. Me qëllim që të gjejë nëse paraburgimi është në përputhje me nenin 5 § 1 f) të Konventës, Gjykata duhet të verifikojë nëse ky privim nga liria jo vetëm nuk lidhet me një nga përjashtimet e parashikuara në paragrafët a) deri në f), por gjithashtu ishte i “rregullt”. Ajo nënvizon se në fushën e “ligjshmërisë” së një paraburgimi, përfshirë këtu fushën e vëzhgimit të “rrugëve ligjore”, Konventa i referohet kryesisht legjislacionit kombëtar dhe sanksionon detyrimin për të shqyrtuar normat materiale si dhe procedurale (Saadi kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13229/03, §§ 67, CEDH 2008).
37. Në këtë rast, Gjykata vëren se gjykatat kombëtare, duke pasur mundësi më shumë se organet e Konventës për të verifikuar respektimin e së drejtës së brendshme, kanë konstatuar kur u është drejtuar kërkuesi ose kur e drejta e brendshme e kërkonte, ligjshmërinë e paraburgimit të kontestuar në fazën e tij fillestare dhe të qëllimshmërisë së tij. Fillimisht, gjykata e Apelit e Akuilës ka shpallur të vlefshëm arrestimin e kërkuesit; më pas, gjykata e Apelit dhe Gjykata e Kasacionit kanë verifikuar se kërkesa për ekstradim ishte dërguar nga autoritetet greke në një afat prej dyzet ditësh të parashikuar nga neni 16 § 4 i Konventës Evropiane të Ekstradimit (paragrafët 15, 17 dhe 21 më sipër); së fundi, tri herë radhazi, gjykatat kanë vendosur se miratimi dhe ruajtja e masave të përkohshme justifikoheshin nga detyrimi për respektimin e angazhimeve ndërkombëtare të shtetit dhe nga ekzistenca e një rreziku për arratisje të kërkuesit (paragrafi 18 më lart).
38. Në këto rrethana, Gjykata nuk vë re asnjë element që mund të japë shkas të mendohet se vuajtja e paraburgimit nga kërkuesi për arsye ekstradimi ka ndjekur një qëllim të ndryshëm nga ai për të cilin është vendosur dhe se nuk ka qenë në pajtueshmëri me të drejtën e brendshme.
b) Mbi karakterin arbitrar të paraburgimit
39. Gjykata kujton se, në kundërshtim me pretendimin e Qeverisë, respektimi i afateve të parashikuara nga e drejta e brendshme nuk mund të konsiderohet si diçka që sjell automatikisht pajtueshmërinë e paraburgimit me kërkesat që burojnë nga neni 5 § 1 f) i Konventës (Auad kundër Bullgarisë, nr. 46390/10, § 131, 11 tetor 2011). Kjo dispozitë kërkon për më tepër përputhshmëri midis çdo privimi lirie me qëllimin për të mbrojtur individin kundër arbitraritetit (shih, ndër të tjera, Winterwerp kundër Vendeve të Ulëta, 24 tetor 1979, § 37, seria A nr. 33, Amuur kundër Francës, 25 qershor 1996, § 50, Përmbledhje 1996‑III, dhe Witold Litwa kundër Polonisë, nr.26629/95, § 78, GJEDNJ 2000‑III). Ka një parim themelor sipas të cilit asnjë burgim arbitrar nuk mund të pajtohet me nenin 5 § 1, dhe nocioni “arbitrar” që përmban neni 5 § 1 shkon përtej mungesës së pajtueshmërisë me të drejtën kombëtare, në mënyrë që një privim lirie mund të jetë i ligjshëm sipas legjislacionit të brendshëm duke qenë njëkohësisht arbitrar, pra, në kundërshtim me Konventën (Saadi, i lart cituar, § 67,dhe Suso Musac. Malte, nr. 42337/12, § 92, 23 korrik 2013).
40. Nga ky aspekt, Gjykata nënvizon për më tepër se, në kontekstin e kësaj dispozite, vetëm zhvillimi i procedurës së ekstradimit justifikon privimin nga liria të bazuar në këtë nen dhe se, nëse procedura nuk është kryer me shpejtësinë e duhur, paraburgimi nuk justifikohet më (Quinn,i lart cituar, § 48 dhe Chahal, i lart cituar, § 113).
41. Gjykata nuk ka për detyrë të vlerësojë nëse kohëzgjatja e procedurës së ekstradimit është në tërësinë e saj e arsyeshme, gjë që e bën veçanërisht në fushën e kohëzgjatjes së procedurave në këndvështrimin e nenit 6, por të vendosë nëse, pavarësisht nga kohëzgjatja globale e procedurës, kohëzgjatja e paraburgimit nuk tejkalon afatin e arsyeshëm të nevojshëm për të arritur qëllimin e ndjekur (Saadi, i lart cituar, §§ 72-74). Kështu, nëse ka pasur periudha mos aktiviteti nga ana e autoriteteve, dhe për rrjedhojë, një mungesë shpejtësie, mbajtja në paraburgim nuk mund të justifikohet më. Si përfundim, Gjykata duhet të vlerësojë nëse, rast pas rasti, gjatë periudhës së paraburgimit në fjalë, autoritetet kombëtare kanë treguar ose jo pasivitet (shih, në këtë kuptim, në fushën e dëbimeve, Tabesh kundër Greqisë, nr. 8256/07, § 56, 26 nëntor 2009).
42. Në këtë rast, Gjykata konstaton se kërkuesi është vendosur në paraburgim në pritje të ekstradimit me qëllim që t’u lejojë autoriteteve greke të nisin procedurën e ndjekjes. Në këtë drejtim, ajo çmon të nevojshme të dallohen dy forma ekstradimi me qëllim që të saktësohet niveli i shpejtësisë së kërkuar për secilën, pra, nga njëra anë, ekstradimi me qëllim ekzekutimin e një dënimi, dhe, nga ana tjetër, ekstradimi që i lejon shtetit kërkues të gjykojë personin e interesuar. Në rastin e fundit, meqë procedura penale është ende në pritje, personi në paraburgim në pritje të ekstradimit duhet konsideruar si i prezumuar i pafajshëm; për më tepër, në këtë stad, mundësia e këtij të fundit për të ushtruar të drejtat e tij për t’u mbrojtur gjatë procedurës penale me qëllim që të provojnë pafajësinë është shumë e kufizuar, apo nuk ekziston fare; së fundi, çdo shqyrtim i themelit të çështjes u ndalohet autoriteteve të shtetit të kërkuar (paragrafi 28 in fine më sipër). Për të gjitha këto arsye, mbrojtja e të drejtave të personit në fjalë dhe zhvillimi i mirë i procedurës së ekstradimit, përfshirë këtu kërkesën për të përndjekur individin në një afat të arsyeshëm, e detyrojnë shtetin e kërkuar të veprojë me një shpejtësi të madhe.
43. Gjykata i ka gjykuar të zgjatura, për shkak të vonesave të pajustifikuara nga ana e autoriteteve të brendshme, periudhat prej një viti e njëmbëdhjetë muajsh paraburgimi me qëllim ekstradimi (Quinn, i lart cituar) dhe prej tre muajsh për qëllim dëbimi (Tabesh, i lart cituar).
44. Ajo nënvizon se në këtë rast paraburgimi në pritje të ekstradimit ka zgjatur afërsisht një vit e gjashtë muaj, nga 19 prilli 2005 deri 26 tetor 2006).
45. Ajo konstaton se vonesa të rëndësishme janë bërë në etapa të ndryshme të procedurës së ekstradimit.
46. Së pari, seanca e parë e gjykatës së Apelit ishte caktuar në 15 dhjetor 2005, ose gjashtë muaj pas dërgimit të kërkesës për ekstradim në gjykatën e Apelit dhe tetë muaj pas vendosjes së të interesuarit në paraburgim në pritje të ekstradimit.
47. Gjykata nuk mund të mbrojë pozicionin e Qeverisë sipas të cilës ankimet e ndërmarra nga kërkuesi me qëllim që të fitonte vendosjen në gjendje të lirë gjatë kësaj periudhe (paragrafi 18 më sipër) mund, në vetvete, të justifikojnë vonesën e procedurës. Në fakt, këtu bëhet fjalë, për procedura që kanë objekte dhe qëllime të ndryshme; njëra ka pasur për qëllim të verifikojë nëse kërkesat formale për ekstradim janë përmbushur, tjetra lejon të shqyrtohet nëse kërkesat që kanë çuar në miratimin e masës së përkohshme ishin ende të vlefshme dhe të mjaftueshme. Fakti që e drejta e brendshme ngarkon të njëjtën gjykatë Apeli me këtë detyrë të dyfishtë përbën një zgjedhje legjitime nga ana e shtetit, zgjedhje që nuk mund të përdoret për të justifikuar vonesat e mëdha në shqyrtimin e themelit të çështjes. Sidoqoftë, Gjykata nuk shikon se si kërkesat e përsëritura të kërkuesit, në parim të justifikuara, përderisa paraburgimi zgjatej në mungesë të çdo seance mbi themelin, do ta kishin penguar gjykatën e Apelit të caktonte më herët këtë seancë (shih, mutatis mutandis, Quinn, § 48). Vendimet e marra nga gjykata e Apelit të bazuara vetëm në dokumentet që ajo dispononte, ishin miratuar në dhomën e këshillimit në respekt të parimit të kontradiktoritetit (paragrafi 27 më lart) dhe kishin të bënin, kryesisht, me shqyrtimin e kërkesës për mbajtjen e kërkuesit në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes (paragrafi 18 më lart).
48. Gjykata vëren më pas se çështja nuk ishte e ndërlikuar (shih, a contrario, Bogdanovski, i lart cituar, pasi kërkuesi kishte dërguar statusin e refugjatit politik dhe procedura e ekstradimit ishte pezulluar me kërkesën e Komisariatit të Lartë për refugjatët dhe të vetë Gjykatës pas zbatimit të nenit 39 të Rregullores). Detyra e gjykatës së Apelit kufizohet me analizën e elementeve të mëposhtme: të verifikosh se kërkesa për ekstradim ishte paraqitur sipas formave të parashikuara nga Konventa Evropiane e Ekstradimit; të sigurohesh se parimet e ne bis in idem dhe të inkriminimit të dyfishtë ishin respektuar; të përjashtohet fakti se arsye me natyrë diskriminuese ose politike kishin formuar bazën e procedimeve të kërkuesit. Ligji nuk autorizon të bëhet vlerësimi për sa i përket ekzistencës së indiceve serioze për fajësi (gravi indizi di colpevolezza) (paragrafi 28 in fine më sipër) dhe asnjë hetim ose aktivitet investigimi nuk ka qenë i nevojshëm (paragrafi 15 më lart).
49. Së dyti, Gjykata është çuditur nga fakti se Gjykata e Kasacionit, pasi kishte vendosur një afat prej dy muajsh lidhur me rekursin e kërkuesit, u vonua më shumë se katër muaj për të depozituar në sekretari një vendim vetëm prej një faqe në të cilin ajo vetëm sa saktësonte se kërkesa për ekstradim ishte dërguar nga shteti kërkues sipas normave të kërkuara dhe se ajo vetë nuk kishte kompetencë për të vënë në dyshim akuzat e bëra kundër kërkuesit nga autoritetet greke (paragrafi 7 më lart). Qeveria nuk prodhoi asnjë dokument që mund të justifikonte një afat të tillë.
50. Së fundi, për sa i përket argumentit të Qeverisë sipas të cilit kërkuesi mund ta kishte përshpejtuar procedurën duke mos kundërshtuar ekstradimin, Gjykata mendon se një kundërshtim i tillë në parim mund të justifikojë një zgjatje të paraburgimit ku imponohet një kontroll juridiksional, gjithsesi kjo nuk e shkarkon shtetin nga përgjegjësia për çdo vonesë të pajustifikuar në fazën gjyqësore.
51. Për rrjedhojë, duke marrë parasysh natyrën e procedurës së ekstradimit që synon të ndjekë kërkuesin në një shtet të tretë, dhe karakterin e pajustifikuar të vonesave nga gjykatat italiane, Gjykata arriti në përfundimin se paraburgimi i kërkuesit nuk ishte “i ligjshëm” sipas nenit 5 § 1 f) të Konventës dhe, për rrjedhojë, ka pasur shkelje të kësaj dispozite.
II. MBI ZBATIMIN E NENIT 41 TË KONVENTËS
52. Sipas nenit 41 të Konventës,
“Kur gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
53. Kërkuesi nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për shpërblim të drejtë (paragrafi 5 më lart). Për rrjedhojë, Gjykata mendon se nuk ka vend për të akorduar një shumë për këtë qëllim.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI,
1. Deklaron kërkesën të pranueshme;
2. Pohon se ka pasur shkelje të nenit 5 § 1 (f) të Konventës.
Hartuar në frëngjisht, më pas transmetuar me shkrim në 24 mars 2015, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores.
Fatoş AracıPäivi Hirvelä
Ndihmës/sekretar Kryetare
Full & Egal Universal Law Academy