Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
SEKSIONI I TRETË
Çështja GARIB kundër Holandës
(Kërkimi nr. 43494/09)
VENDIMI
STRASBURG
23 Shkurt 2016
Kërkesa për referim në Dhomën e Madhe është në pritje
Ky vendim është përfundimtar sipas Nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Garib kundër Holandës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i tretë), e mbledhur si Dhomë, e përbërë nga:
Luis López Guerra, Kryetar,
Helena Jäderblom,
George Nicolaou,
Helen Keller,
Johannes Silvis,
Branko Lubarda,
Pere Pastor Vilanova, Gjyqtarë,
dhe Stephen Phillips, Kancelar i Seksionit,
pasi diskutoi në seancë me dyer të mbyllura në 7 Tetor 2014, në 5 Janar 2016 dhe 26 Janar 2016,
Jep vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të mësipërme:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në kërkimin (nr. 43494/09) kundër Mbretërisë së Holandës, depozituar në Gjykatë sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetase Holandeze, znj. Rohiniedevie Garib ("kërkuesja"), më 28 korrik 2009.
2. Kërkuesja u përfaqësua nga z R.S. Wijling, avokat që e ushtronte profesionin në Roterdam. Qeveria e Holandës ("Qeveria") u përfaqësua nga Agjenti i saj z R.A.A. Böcker i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
3. Kërkuesja pretendoi se kufizimet ndaj të cilave ajo ishte nënshtruar për zgjedhjen e vendbanimit, ishin të papajtueshme me nenin 2 të Protokollit Nr. 4 të Konventës.
4. Në 7 Tetor 2014 kërkimi iu komunikua Qeverisë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesja ka lindur në 1971 dhe tani jeton në Vlaardingen.
6. Më 25 maj 2005, kërkuesja u transferua në qytetin e Roterdamit. Ajo u vendos në pronën e marrë me qira në adresën A. Rruga 6b. Kjo adresë ndodhet në distriktin e Tarewijk-ut në jug të Roterdam-it. Kërkuesja kishte banuar më parë jashtë Rajonit Metropolitan të Roterdamit (të (Stadsregio Rotterdam).
7. Pronari i pronës i kërkoi kërkueses, e cila në këtë kohë kishte dy fëmijë të vegjël, që të lironte pronën, pasi ai dëshironte që ta rinovonte atë, për përdorimin e tij. Ai i ofroi kërkueses një pronë tjetër në adresën e B. Rruga 72A, gjithashtu në zonën e Tarewijk. Kërkuesja deklaroi se, duke qenë se ajo përbëhej nga tre dhoma dhe një kopsht, prona ishte shumë më e përshtatshme për të dhe fëmijët e saj, se banesa në Rrugën A., e cila përbëhej nga një dhomë e vetme.
8. Ndërkohë, Tarewijk ishte caktuar në bazë të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masa të Veçanta) (wet bijzondere maatregelen grootstedelijke problematiek, shih më poshtë), si një zonë në të cilën nuk lejohej të merrej një banesë e re pa një leje strehimi (huisvestingsvergunning). Prandaj, më 8 mars 2007, kërkuesja depozitoi një kërkesë për një leje strehimi te Kryetari dhe Anëtari i Këshillit (Burgemeester en ëethouders) të Roterdamit në mënyrë që të lejohej që të zhvendosej në Rrugën B. 72A.
9. Në 19 Mars 2007 Kryetari dhe Anëtari i Këshillit të Roterdamit nxorën një vendim që refuzonin një leje të tillë. Ata konstatuan se kërkuesja nuk kishte qenë rezidente ne Rajonin Metropolitan të Roterdamit për një periudhë prej 6 vjetësh, para depozitimit të kërkesës së saj. Për më tepër, duke qenë se ajo ishte e varur nga përfitimet e asistencës sociale në përputhje me Aktin për Punë dhe Asistencë Sociale, nuk e plotësonte kërkesën për të ardhurat, në mënyrë që të bëhej një përjashtim nga kushti i rezidencës.
10. Kërkuesja depozitoi te Kryetari dhe Anëtari i Këshillit të Roterdamit, një kundërshtim ndaj këtij vendimi. (bezwaarschrift).
11. Më 15 Qershor 2007 Kryetari dhe Anëtari i Këshillit të Roterdamit dhanë një vendim, ku hodhën poshtë kundërshtimin e kërkueses. Duke bërë të tyrin një opinion të Komitetit Këshillimor të Kundërshtimeve (Algemene bezwaarschriftencommissie), ata iu referuan lejeve për strehim, si një instrument për të siguruar shpërndarjen e balancuar dhe të drejtë të shtëpive dhe mundësisë që kërkuesja të vendosej në një banesë që nuk ndodhej në zonën e “nxehtë”.
12. Kërkuesja depozitoi një apelim (beroep) në Gjykatën Rajonale të Rotterdamit (rechtbank). Për aq sa është e rëndësishme në çështje duhej të ishte aplikuar, klauzola e “vështirësisë”. Ajo u bazua në Nenin 2 të Protokollit Nr. 4 të Konventës dhe Nenin 12 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
13. Gjykata Rajonale dha një vendim që hidhte poshtë apelimin e 4 Prillit 2008. Për aq sa është e rëndësishme për çështjen para Gjykatës, ky vendim parashikon si më poshtë:
“Neni 8(1) i Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta) parashikon mundësinë e kufizimeve të përkohshme ndaj lirisë së banimit në zonat e përcaktuara nga Ministri (Ministri i Strehimit, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit (Ministri Van Volkshuisvesting, Ruimtelijke Ordening en Milieubeheer). Qëllimi i këtyre kufizimeve ishte shmangia e një mbingarkimi dhe cilësia e jetës duke i shtyrë njerëzit drejt rretheve ku përbërja është më e përzier nga pikëpamja socio-ekonomike. Këto kufizime kanë gjithashtu për qëllim që në mënyrë aktive të luftojnë ndarjen ekzistuese të të ardhurave në të gjithë qytetin me anë të rregullimit të pajisjes me banesa në rrethe të caktuara, dhe në këtë mënyrë për të përmirësuar cilësinë e jetës për banorët e këtyre rretheve (Dokumente Parlamentare, Dhoma e Ulët e Parlamentit ( Kamerstukken II) 2004/2005, 30 091, nr. 3, faqe 11-13). Duke pasur parasysh qëllimet e ligjit, siç është përcaktuar, këto kufizime të përkohshme për lirinë e zgjedhjes së vendbanimit nuk mund të konsiderohen të pa justifikuara nga interesi i përgjithshëm në një shoqëri demokratike. As nuk mund të konstatohet se, duke pasur parasysh shtrirjen e konsiderueshme të problemeve të vërejtura në rrethe të caktuara në Roterdam, kufizimet në fjalë nuk janë të nevojshme për ruajtjen e rendit publik. Gjykata Rajonale mendon se Parlamenti ka treguar në mënyrë të mjaftueshme se në ato rrethe "kufijtë e kapaciteteve për përvetësimin janë arritur në lidhje me kujdesin dhe mbështetjen për personat e paprivilegjuar nga pikëpamja socio-ekonomike dhe për më tepër në këto rrethe ka një përqendrim të individëve të paprivilegjuar në rrethet e privuara, si dhe pakënaqësi të konsiderueshme në mesin e popullatës në lidhje me sjelljen e papërshtatshme, telashet dhe krimin.
14. Kërkuesja depozitoi një tjetër apelim (hoger beroep) në Divizionin e Juridisksionit Administrativ (Afdeling bestuursrechtspraak) të Këshillit të Shtetit (Raad van State).
15. Më 4 Shkurt 2009 Divizioni i Juridiksionit Administrativ dha një vendim ku kundërshtonte apelimin e kërkueses. Për aq sa është e rëndësishme për çështjen para Gjykatës, në arsyetimin e saj gjykata përcakton si më poshtë:
“Divizioni i Juridiksionit Administrativ konstaton se, duke konsideruar se zona në fjalë është caktuar sipas Nenit 5 të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (masat e veçanta), Kryetari dhe Anëtari i Këshillit të Roterdamit kishin të drejtën e pikëpamjes që kufizimi (në lirinë për të zgjedhur vendbanimin) është i justifikuar nga interesi i përgjithshëm në një shoqëri demokratike, brenda kuptimit të Nenit 12 § 3 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike të 1966. Zona në fjalë është një zonë e ashtuquajtur e “nxehtë”, në të cilën, edhe pse nuk është kundërshtuar, cilësia e jetës është në rrezik. Kufizimi që rezulton nga Neni 2.6 (2) i Ligjit për Strehimin i vitit 2003 (Huisvestingsverordening 2003) ka një natyrë të përkohshme, pra deri në gjashtë vjet. Nuk është konstatuar se pajisja me banesa jashtë zonës së përcaktuar nga Ministri i Rajonit Metropolitan të Roterdamit nuk është e pamjaftueshme. Ajo çfarë kërkuesja ka deklaruar për kohën e pritjes, nuk ndikon që Divizioni i Juridiksionit Administrativ të arrijë në një konkluzion tjetër. Divizioni i Juridiksionit Administrativ, më tej merr në konsideratë se në përputhje me Nenin 7 (1), dhe pikën (b) të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e veçanta) Ministri ka të drejtë të anulojë caktimin e zonës, nëse rezulton se personat që kërkojnë strehim nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të gjetur strehim të përshtatshëm brenda rajonit në të cilën komuna ndodhet. Duke pasur parasysh këto fakte dhe rrethana, Divizioni i Juridiksionit Administrativ, konstaton se kufizimi në fjalë nuk është në kundërshtim me kërkesat e një nevoje të ngutshme sociale dhe të proporcionalitetit. Prandaj Divizioni i Juridiksionit Administrativ konstaton, ashtu si edhe Gjykata Rajonale, që Neni 2.6 (2) i Ligjit për Strehimin i vitit 2003 nuk është në kundërshtim me Nenin 2 të Protokollit Nr. 4 të Konventës ose nenit 12 të Paktit për të Drejtat Civile dhe Politike të vitit 1966.”
II. E DREJTA E BRENDSHME
A. Ligji për Strehimin
16. Për aq sa është e rëndësishme për çështjen para Gjykatës, Akti për Strehimin (Huisvestingsëet) parashikon si më poshtë:
Neni 2
“1. Nëse këshilli lokal e gjen të arsyeshme të parashikojë rregulla lidhur me marrjen në përdorim, apo lejimin e përdorimit të banesave.... ose lidhur me ndryshimet në pajisjen me banesa..., atëherë këshilli do të miratojë një ligj për strehimin (huisvestingsverordening).
2. Për qëllim të aplikimit të paragrafit të parë, këshilli lokal do të hetojë, në çdo rast, masën në të cilën mund të arrihet efekti që duke lejuar përdorimin e banesave me kosto relativisht të ulët, prioritet i jepet kërkuesve për banesë të cilët, në funksion të të ardhurave të tyre, janë veçanërisht të varur nga këto shtëpi. ...”
1. Dispozitat përkatëse
17.Akti për Problemet e Brendshme të Qytetit (masat e veçanta) aplikohet ndaj një numri komunash, duke përfshirë Roterdamin. Ky akt u jep të drejtë Komunave për të marrë masa në zona të caktuara, duke përfshirë përjashtime të pjesshme taksash ndaj pronarëve të biznesit të vogël dhe përzgjedhjen e rezidentëve të rinj bazuar në burimin e të ardhurave.
18. Duke qenë se ishte në fuqi në atë kohë, Akti për Problemet e Brendshme të Qytetit (masat e veçanta), për aq sa është e rëndësishme për çështjen parashikon si më poshtë:
Neni 5
“1. Ministri për (Strehimin, Planifikimin Hapësinor dhe Mjedisin) mundet që, nëse kërkohet nga këshilli lokal (gemeenteraad), të caktojë zona në të cilat personat që kërkojnë shtëpi, mund të bëhen subjekt i kërkesave sipas Nenit 8 dhe 9 të këtij akti.
2. Përcaktimi i bërë në paragrafin e mësipërm, do të jetë për një afat prej deri në katër vite. Me kërkesën e këshillit lokal, ky afat mund të zgjatet një herë, vetëm me katër vite të tjera. Neni 7 do të aplikohet për analogji.”
Neni 6
“1. Kur bëhet kërkesa e përcaktuar në Nenin 5 (1), këshilli lokal duhet t’i sigurojë Ministrit të Strehimit, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit se caktimi i zonave të përmendura në kërkesë:
(a) është i nevojshëm dhe i përshtatshëm për të luftuar problemet e brendshme të komunës; dhe
(b) përmbush kërkesat e subsidiaritetit dhe proporcionalitetit.
2. E drejta e përcaktuar në Nenin 5(1) do të jepet vetëm nëse kërkesat e paragrafit të parë përmbushen, dhe nëse Këshilli lokal i ka siguruar Ministrit për Strehimin, Planifikimin Hapësinor dhe Mjedisin se për personat që kërkojnë banesë, si rezultat i një caktimi të tillë, një leje strehimi për të marrë një banesë në zonat e caktuara në përdorimin e tyre, nuk mund të garantojë mundësi të mjaftueshme për të gjetur një shtëpi të përshtatshme për ta, brenda rajonit në të cilin komuna është vendosur.
Neni 7
“1. Ministri do të shfuqizojë të drejtën e përcaktuar në Nenin 5 nëse:
....
b. personat që kërkojnë shtëpi, për të cilët një leje strehimi që i lejon ata të marrin në përdorim një banesë në zonat e caktuara, nuk mund të jepet si rezultat i caktimit të referuar në Nenin 5, kanë pamundësi të mjaftueshme për të gjetur shtëpi të përshtatshme për ta brenda rajonit në të cilin komuna është vendosur.
Neni 8
“1. Këshilli lokal mundet, nëse e konsideron (një masë të tillë) të nevojshme dhe të përshtatshme për të luftuar problemet e brendshme të qytetit (grootstedelijke problematiek) brenda komunës, dhe përmbush kërkesa e subsidiaritetit dhe proporcionalitetit, të vendosë në ligjin për strehimin, që personat që kërkojnë shtëpi, të cilët kanë qenë rezident pa ndërprerje në rajonin brenda të cilit komuna është vendosur, për më pak se gjashtë vjet, mund të jenë subjekt i një leje strehimi që i lejon ata që të marrin në përdorim banesa që i përkasin kategorive të përcaktuara në ligjin për strehimin, nëse disponojnë:
(a) të ardhura nga puna, në bazë të një kontrate punësimi;
(b) të ardhura nga një profesion i pavarur ose biznes;
(c) të ardhura nga një dalje në pension në mënyrë të parakohshme;
(d) një pension pleqërie , brenda kuptimit të Aktit për Pensionet e Përgjithshme të Pleqërisë (Algemene Ouderdomswet);
(e) Një pension pleqërie apo pension mbijetese brenda kuptimit të Pagave (Arsyet e Taksave) Akti i 1964 (wet op de loonbelasting 1964);
(f) një bursë studentore brenda kuptimit të Aktit për Bursat Studentore 2000 (wet op de studiefinanciering 2000).
2. Këshilli lokal do të përcaktojë në ligjin për strehimin se Burgomaster dhe Aldermen mund t’i japë një personi që kërkon shtëpi, i cili nuk përmbush kërkesat e përcaktuara në paragrafin e parë, një leje strehimi duke i lejuar atij që të marrë në përdorim shtëpitë e referuara në atë paragraf, nëse mohimi i asaj leje strehimi, do të përbënte një padrejtësi të një natyre thelbësore (een onbillijkheid van overwegende aard). ...”
Neni 17
“Ministri do t’i dërgojë një raport Parlamentit për efektivitetin dhe efektet e këtij Akti, çdo pesë vjet pas hyrjes në fuqi të Aktit.”
2. Historia Legjislative e Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (masat speciale)
(a) Opinioni këshillimor i Këshillit të Shtetit dhe Raporti i Mëtejshëm
19. Këshilli i Shtetit shqyrtoi Aktin për Problemet e Brendshme të Qytetit (masat e veçanta) dhe i paraqiti një opinion këshillues Mbretëreshës. Qeveria e përcolli mendimin në Parlament, së bashku me komentet e saj (Opinion Këshillimor i Këshillit të Shtetit dhe Raporti i mëtejshëm (Advies Raad van State en Nader Rapport), Dokumente Parlamentare, Dhoma e Ulët e parlamentit, 2004/2005, 30 091, nr. 5).
20. Kërkuesja, në vërejtjet e saj, tërheq vëmendjen për disa konstatime të bëra nga Këshilli i Shtetit. Për aq sa është e rëndësishme për çështjen para Gjykatës, këto përfshinin shqetësime në lidhje me efektet anësore të padëshiruara të rregullimit të aksesit në strehim në zonat e brendshme të qytetit, për disponueshmërinë e strehimit për grupet me të ardhura të ulëta në komunat përreth dhe për personat me të ardhura nga burime të ndryshme nga mirëqenia sociale të cilët ishin të detyruar të pranonin banesat në lagjet e varfra kundër dëshirave të tyre; shqetësimet për pajtueshmërinë me traktatet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Protokollit Nr.4 të Konventës; dhe shqetësimet në lidhje me dallimin e nënkuptuar bazuar te të ardhurat, gjë që mund të çojë në dallime indirekte në bazë të racës, ngjyrës ose origjinës kombëtare apo etnike.
21. Qeveria iu përgjigj këtyre shqetësimeve. Pasojat mbi komunat përreth mund të vijnë vetëm nëse komunat përkatëse nuk mund të garantojnë disponueshmërinë e banesave alternative; në çdo rast, autoritete të tjera lokale do të konsultohen para se Ministri të japë një vendim dhe numri dhe shtrirja e zonave urbane që do të caktohet pritet të jetë i kufizuar. I takon normalisht atyre që kërkojnë strehim për të reaguar ose jo ndaj një oferte banese; në këtë mënyrë nuk kishte ndonjë detyrim. Për më tepër, ndërkohë që efekti i caktimit sipas Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (masat e veçanta) mund të jetë për të shkurtuar listat e pritjes dhe për të inkurajuar personat me të ardhura nga burime të tjera të asistencës sociale për të banuar atje, ky në fakt ishte efekti që synohej. Masat në fjalë ishin të justifikuara në kuptim të nenit 12 § 3 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe nenit 2 § 3 të Protokollit 4 të Konventës. Nuk mund të përjashtohet mundësia që anëtarët e grupeve minoritare mund të ndikohen në mënyrë indirekte, por qëllimi ishte legjitim, mjetet e zgjedhura ishin të përshtatshme për këtë qëllim, mjetet alternative nuk ishin në dispozicion dhe kërkesat e proporcionalitetit ishin përmbushur. Si përfundim, Qeveria vuri në dukje kërkesën që alternativa të mjaftueshme strehimi të jenë në dispozicion brenda rajonit për ata që janë në nevojë, para se një zonë urbane mund të përcaktohet në bazë të Aktit; nëse pas gjithë kësaj provohet se nuk është ky rasti, Ministri do të tërhiqet nga caktimi.
22. Ndryshime u bënë në Memorandumin Shpjegues (Memorie van Toelichting) duke reflektuar problematikat e ngritura.
(b) Memorandumi Shpjegues
23. Në memorandumin shpjegues të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit, (Dokumente Parlamentare, Dhoma e Ulët e Parlamentit 2004/2005, 30 091, nr. 3) është deklaruar se është miratuar në përgjigje të një dëshire të veçantë të shprehur nga ana e autoriteteve të komunës së Roterdamit. Ishte vërejtur shfaqje e përqendrimeve të "personave të paprivilegjuar nga ana socio-ekonomike" në zonat e trazuara të brendshme të qytetit, me efekte serioze në cilësinë e jetës për shkak të papunësisë, varfërisë dhe përjashtimit social. Shumica e atyre që mund të përballonin vendosjen diku tjetër e bënin një gjë të tillë, gjë që çonte në varfërimin e mëtejshëm të zonave të prekura. Kjo, së bashku me sjellje antisociale, fluksin e emigrantëve të paligjshëm dhe krimin, përbënte thelbin e problemeve të Roterdamit. Prandaj, ekzistonte nevoja për t’i dhënë shtysë përmirësimit ekonomik në nivel lokal. Nuk priteshin rezultate të shpejta, dhe për këtë arsye Akti kishte për qëllim që të mbetej në fuqi për një kohë të pacaktuar. Megjithatë, efektet e tij do të shqyrtoheshin pas pesë vitesh.
24. Përveç autoriteteve lokale të Roterdamit, autoritetet e qyteteve të tjera ishin pyetur për të dhënat e tyre. Interes për qëllimet dhe masat e Aktit kishin edhe katër qytetet kryesore – Amsterdami, Haga, dhe Utrechti, përveç Roterdamit, si dhe disa komuna të tjera, qytete të mëdha në veçanti. Megjithatë, i takonte secilës komunë për të zgjedhur vetë masat që do të adoptonte, në përgjigje të nevojave lokale.
25. Masat në dispozicion sipas Aktit ofronin stimuj për taksat dhe subvencione me qëllim nxitjen e aktivitetit ekonomik në zonat e prekura. Masa të tjera kishin për qëllim rregullimin e aksesit në tregun e banesave në zona të veçanta.
26. Në një afat më të gjatë, ishin parashikuar masat që përfshinin shitjen e pronave me qira, prishjen e banesave jashtë standardeve dhe zëvendësimin e tyre me prona më të shtrenjta për banim me cilësi më të lartë. Si masë afatshkurtër e përkohshme, me qëllim që të ofrohej një "frymëmarrje" që masat më të qëndrueshme të prodhonin efektet e tyre, u propozua që nga njëra anë të inkurajohej një zgjidhje nga personat me të ardhura nga punësimi (ose punësimin në të kaluarën), profesional, ose nga aktivitetet e biznesit, ose bursat studentore dhe nga ana tjetër frenimi i fluksit të kërkuesve me probleme socio-ekonomike për shtëpi, me synim rritjen e diversitetit të popullsisë.
27. Në të njëjtën kohë pranohej se personat që u privohej vendosja në zonat në fjalë, duhet të pajiseshin me shtëpi të përshtatshme diku tjetër në qytet ose në rajonin në fjalë. Nëse një gjë e tillë nuk sigurohej, zonat e ndikuara nuk do të caktoheshin sipas ligjit të propozuar ose duhej të tërhiqej një caktim ekzistues, në bazë të faktit sesi mund të jetë çështja.
28. Çështja e përputhshmërisë me traktatet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë Paktin për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Protokollin Nr. 4 të Konventës, u adresua. Masat e propozuara u konsideruan se i shërbenin interesit të “rendit publik” brenda kuptimit të Nenit 12 § 3 të Paktit dhe ordre public brenda kuptimit të Nenit 2 § 3 të Protokollit Nr. 4 të Konventës duke ndaluar përqendrimin në fusha të veçanta të grupeve të privuara socio-ekonomikisht, dhe duke mundësuar që komunat të parandalojnë ndarjen në bazë të të ardhurave. Fluksi i grupeve të paprivilegjuara nga ana socio-ekonomike, në fund të fundit, çon në rritjen e mbështetjes te ndihma sociale, redukton atë që mund të mbetet nga aktiviteti ekonomik dhe pengon integrimin e komuniteteve të emigrantëve, potencialisht duke shkaktuar izolimin social të familjeve si të atyre me origjinë vendase dhe të etnive të huaja.
(c) Diskutimet Parlamentare
29. Dhoma e Ulët e Parlamentit e diskutoi Aktin në datat 6, 7 dhe 15 Shtator 2005. Anëtarët propozuan ndryshime të shumta. Për aq sa është e rëndësishme për çështjen para Gjykatës, ndryshimet e miratuara përfshinin një dispozitë që i kërkonte Ministrit të Strehimit, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit që para caktimit të një zone brenda së cilës do të zbatoheshin kërkesat për lejen e strehimit, të konstatonte se personat që u refuzohej një leje strehimi të kishin akses të përshtatshëm për strehim në vende të tjera në rajon (shih paragrafin 6 (2) të Ligjit, të miratuar); dhe i kërkonin komunave futjen e një sistemi për leje strehimi për të miratuar një klauzolë “vështirësie”, në çdo rast (shih seksionin 8 (2) të Ligjit, të miratuar).
30. Dhoma e ulët e Parlamentit adoptoi aktin me 132 vota pro dhe 12 kundër, të anëtarëve të pranishëm dhe që votonin.
31. Në dhomën e Lartë të Parlamentit, ishin shprehur shqetësime për pajtueshmërinë e Aktit me të drejtat e njeriut të garantuara ndërkombëtarisht, Neni 2 i Protokollit Nr. 4 të Konventës dhe në veçanti, Neni 12 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Si përgjigje, Qeveria theksoi rolin mbikëqyrës të Ministrit të Strehimit, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit dhe tërhoqi vëmendjen për mjetet juridike, për procedimet para gjykatave kompetente administrative (Përgjigja e Memorandumit (Memorie van Antëoord), Dokumentet parlamentare, Dhoma e Lartë e Parlamentit (Kamerstukken I) 2005/2006, 30 091, C).
32. Në 20 Dhjetor 2005, pas diskutimeve, Dhoma e Lartë e Parlamentit e miratoi aktin me 60 vota pro dhe 11 kundër, të anëtarëve të pranishëm dhe me të drejtë vote.
B. Ligji i Strehimit i komunës së Roterdamit
1. Versioni i 2003
33. Ligji i strehimit i vitit 2003, i komunës së Roterdamit, mes të tjerave, përcaktonte rregulla për shpërndarjen e shtëpive me qira të ulët, familjeve me të ardhura të ulëta, duke ia dhënë tagrin Kryetarit dhe Anëtarit të Këshillit për të nxjerrë lejet për strehim. Në zonat e caktuara ishte e ndaluar të merrej një banesë, pa leje strehimi, nëse qiraja ishte më e ulët se shuma e specifikuar. Ligji përcaktonte kritere për Kryetarin dhe Anëtarin e Këshillit, të cilat duhet t’i aplikonin në dhënien e lejeve të tilla të banimit; këto kritere përfshinin një lidhje reciproke mes qirasë dhe niveleve të të ardhurave dhe mes numrit të dhomave në banesa të veçanta dhe numrit të personave që përbënin një familje.
34. Në 1 Tetor 2004, komuna e Roterdamit prezantoi, në baza eksperimentale, një ligj sipas të cilit vetëm familjet me të ardhura mes 120 për qind të rrogës minimale të parashikuar me ligj dhe limitit maksimal për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor (ziekenfondsgrens; përafërsisht dyfishi i pagës minimal në atë kohë) kishin të drejtë për leje strehimi, duke i lejuar ata që të marrin në një shtëpi me qira, me kosto mesatare.
2. Versioni i 2006
35. Në janar të vitit 2006, Ligji i Strehimit të komunës së Roterdamit u ndryshua dhe paraqiste rregulla të detajuara për implementimin e Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masa të veçanta) në nivel lokal. Për aq sa është e rëndësishme për çështjen konkrete, këto rregulla përsëritin Nenin 8 (1) dhe (2) të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masa të veçanta) (Neni 2.6 i ligjit për strehimin i vitit 2003).
36. Ligji i Strehimit i vitit 2003 u zëvëndësua nga ai i 1 Janarit 2008, nga një ligj i ri për Strehimin (Zonat e përcaktuara (Roterdam)) (Huisvestingsverordening aangewezen gebieden Rotterdam). Ky Ligj, i cili vazhdon të jetë në fuqi, përfshin dispozita që i korrespondojnë atyre të përshkruara në paragrafin e mëparshëm.
C. Vendimet e përcaktuara
37. Në 13 Qershor 2006, Ministri i Strehimit, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit, përcaktoi sipas Nenit 5 të Aktit të mësipërm, katër distrikte të Roterdamit, duke përfshirë Tarewijk, dhe disa rrugë, për një periudhë fillestare prej katër vjetësh. Këto zona të përcaktuara, zakonisht referohen duke përdorur fjalën në gjuhën angleze, “hotspots”.
38. Në 2010 caktimet u shtrinë për një afat të dytë prej katër vjetësh, dhe caktimi i parë u bë, për distriktin e pestë.
D. Opinioni i Komisionit për Trajtim të Barabartë
39. Komisioni për Trajtimin e barabartë (Commissie Gelijke Behandeling) ishte një organ Qeveritar i ngritur në bazë të Aktit të Përgjithshëm për trajtim të barabartë (Algemene wet gelijke behandeling). Përgjegjësia e tij ishte hetimi i dallimeve të pretenduara si direkte dhe indirekte midis personave. Ky organ ekzistoi deri në vitin 2012, kur u përthith nga Instituti Holandez për të Drejtat e Njeriut (College voor de Rechten van de Mens).
40. Në dhjetor 2004, Komisioni për trajtimin e barabartë u përafrua nga Regioplatform Maaskoepel ("Maas Delta platformë koordinuese rajonale"), një organizatë federative e përbërë nga organe me banesa sociale aktive në zonën e Roterdamit, me kërkesën për të marrë në konsideratë ligjin eksperimental të Roterdamit, që ishte atëherë në fuqi (shih paragrafin 34 më lart).
41. Komisioni për Trajtimin e Barabartë vendosi të përfshijë në shqyrtimin e tij për çështjen e Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (masat e veçanta), të cilat në atë kohë ishte ende në pritje në Dhomën e Ulët të Parlamentit. Ndërkohë që pranohej se Akti nuk aplikohej ndaj kategorive të caktuara të rasteve të mbuluara nga Ligji Eksperimental, Komisioni për Trajtim të Barabartë, e konsideroi të rëndësishme për t’u aplikuar në të gjithë zonat e qytetit.
42. Komisioni për Trajtimin e barabartë dha Opinionin e tij më 7 korrik 2005. Ai shprehu mendimin se emigrantët me rrënjë jo-perëndimore evropiane, siç janë ata turkë, marokenë, surinamezë, ose holandezët me prejardhje nga Antilet (afkomst) dhe familjet me një prind (domethënë nënat që punojnë dhe nënat me asistencë sociale) ishin mbi përfaqësuar në mesin e personave të papunë dhe në mesin e atyre që fitonin më pak se 120% të pagës minimale të përcaktuar me ligj. Për këtë arsye masat në fjalë përbënin diskriminim të tërthortë në bazë të racës, në rastin e personave emigrantë me prejardhje jo-evropiane dhe të gjinisë në rastin e nënave që punojnë. Këto dallime ishin të pajustifikuara duke pasur parasysh mundësinë e zgjedhjeve alternative të politikave, të tilla si kërkimi i rekomandimeve të qiramarrësve të ardhshëm; kontrolle të rregullta nga zyrtarët; përmirësimi i cilësisë së banimit; shpronësime ose blerje të banesave me cilësi të ulët nga pronarët privatë; luftimi i qiramarrjes së paligjshme dhe nën-qiramarrjes; dhe ndjekja në mënyrë aktive e qiramarrësve antisociale.
43. Duke komentuar në Aktin për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e veçanta), Komisioni për Trajtimin e Barabartë shtoi se nuk i adresoi dallimet indirekte të mësipërme dhe justifikimi i dhënë në Memorandumin Shpjegues ishte shumë i përgjithshëm.
44. Qeveria deklaroi se Komisioni për Trajtimin e Barabartë, në 5 Shtator 2005 i shkroi një dokument më të detajuar Dhomës së Ulët të Parlamentit. Megjithatë, nuk është dorëzuar ndonjë kopje e këtij dokumenti.
III. FAKTE TË TJERA
A. Zhvillimet pasuese lidhur me qytetin e Roterdamit
1. Raporti i vlerësimit për vitin 2007
45. Një raport vlerësimi pas vitit të parë të prezantimit të lejeve të strehimit në Roterdam, porositur nga vetë Shërbimi i Strehimit dhe Ndërtimit të qytetit të Roterdamit (Dienst Stedebouw en Volkshuisvesting), u botua më 6 dhjetor 2007 nga Qendra për Hulumtime dhe Statistika (Centrum voor Onderzoek en Statistiek), një hulumtim dhe këshillim nga Byroja për mbledhjen e të dhënave statistikore dhe kryerjen e hulumtimeve të rëndësishme për zhvillimet në Roterdam në fushat demografike, ekonomike dhe të punësimit (këtej e tutje "raporti i vlerësimit i vitit 2007").
46. Raporti thekson një reduktim të numrit të rezidentëve të rinj, të varur nga përfitimet e sigurimeve shoqërore sipas Aktit për Punën dhe Asistencën Sociale në zonat e “nxehta”, megjithëse ky ishte një ndalim i plotë, sepse rezidentët në Rotedam për gjashtë vjet, nuk ndaloheshin që të vendoseshin atje.
47. Nga Korriku 2006 deri në Korrik 2007 kishte pasur 2,835 kërkesa për leje strehimi. Nga këto, 2,240 ishin dhënë; 184 ishin refuzuar; 16 ishin refuzuar si të paplota; dhe 395 ishin ende në pritje. Klauzola e “vështirësisë” (neni 8(2) i Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta) ishte aplikuar në 38 raste.
48. Treçereku i lejeve të strehimit të dhëna kishin të bënin me shtëpi nga pronarë privatë; pjesa e mbetur 519 ishte dhënë mes ndërmjetësimit të organeve të banesave sociale (woningcorporaties). Këta të fundit i zgjodhën qiramarrësit, bazuar në kërkesat zyrtare, kështu që refuzimet e lejeve të strehimit ishin të padëgjuara.
49. Nga personat që iu refuzua leja e strehimit, 73 (43 % nga të gjithë këta) ia kishin dalë që të gjenin një shtëpi diku tjetër, relativisht shpejt.
50. Raporti i vlerësimit i vitit 2007 iu prezantua këshillit lokal në 15 Janar 2008. Në 24 Prill 2008 Këshilli Lokal votoi që të mbante sistemin e lejeve të strehimit ashtu siç ishte, të kishte një raport të ri vlerësimi, të porositur për në fundin e vitit 2009.
2. Raporti i vlerësimit për vitin 2009
51.Një raport i dytë vlerësimi, gjithashtu i porositur nga Shërbimi i Strehimit dhe Ndërtimit të Qytetit të Roterdamit, u publikua në 27 Nëntor 2009, nga Qendra për Kërkim dhe Statistika. Ai mbulonte periudhën nga Korriku 2006 deri në Korrik 2009 (“Raporti i Vlerësimit të 2009”), gjatë të cilës ngjarjet në fjalë kishin ndodhur.
52. Gjatë kësaj periudhe, organet sociale të strehimit kishin lënë 1,712 banesa në zonat në fjalë. Duke qenë se organet sociale të strehimit, mund të pranonin gjithashtu, qiramarrës të cilët ishin të kualifikuar për një leje strehimi, nuk kishte pasur refuzime për leje ndaj këtij grupi.
53. Nga 6,469 kërkesa për leje strehimi në lidhje me lejet private të strehimit, 4,980 ishin pranuar (77%); 342 ishin refuzuar (5%); dhe 296 ishin në pritje, në fillim të korrikut 2009. Ekzaminimi i mëtejshëm i 851 (13%) ishte ndërprerë pa një vendim të ndërmarrë, në përgjithësi për shkak se këto kërkesa ishin tërhequr ose braktisur; supozohej se shumë prej këtyre kërkimeve do të refuzoheshin, në çdo rast. Si rrjedhojë, nëse çështjet në pritje nuk merreshin parasysh, afërsisht një e pesta e kësaj kategorie të kërkesave ose do të refuzoheshin, ose nuk do të dilej në një përfundim.
54. Arsyeja për të refuzuar një kërkesë për leje strehimi lidhej me kërkesat e të ardhurave në 63% të rasteve, shpesh në kombinim me një tjetër bazë për refuzim; mos përmbushja e kërkesave të të ardhurave ka qenë arsyeja e vetme në 56% të rasteve.
55. Prej 342 personash që iu refuzua leja e strehimit, vetëm dy të tretat kishin arritur të gjenin strehim diku tjetër në Roterdam (47%) ose diku tjetër në Holandë (21%).
56. Klauzola e vështirësisë ekonomike ishte aplikuar 185 herë, e shprehur si një përqindje e aplikimeve që kanë të bëjnë me lejet private të strehimit, 3% e totalit. Këto kishin qenë raste të parandalimit të “pushtimit” të shtëpive të lëna bosh (antikraak), emigrantëve të paligjshëm, gjendja e të cilëve ishte rregulluar nga një masë e përgjithshme (generaal pardon), marrëveshjet e ndihmës për jetesë për individët në nevojë (begeleid wonen), marrëveshjet e bashkëpunimit të jetesës (woongroepen), ndërmarrjet start-up, ri strehimi i familjeve të detyruara për të liruar shtëpitë jashtë standardeve për rinovim, dhe studentët e huaj. Përveç kësaj, në një të tretën e rasteve, klauzola e vështirësisë, ishte zbatuar për shkak se vendimi nuk ishte dhënë brenda afatit të caktuar.
57. Efektet e kësaj mase u analizuan bazuar në katër tregues: Proporcioni i rezidentëve të varur nga përfitimet e sigurimeve shoqërore sipas Aktit për Punën dhe Asistencën Sociale, i korrigjuar për shpërndarjen e shtëpive të përshtatshme; perceptimi i sigurisë; cilësisë sociale; dhe akumulimi potencial i problemeve të strehimit.
(a) Ishte vërejtur se në zonat ku kërkesat për leje strehimi aplikoheshin, reduktimi i numrit të rezidentëve të rinj të varur nga përfitimet e sigurimeve shoqërore, sipas Aktit për Punën dhe Asistencës Sociale kishte qenë më i shpejtë në zonat e “nxehta” se në pjesët e tjera të Roterdamit. Përveç kësaj, numri i rezidentëve që merrnin përfitime të tilla, në proporcion me popullsinë në tërësi në ato zona, gjithashtu ishte refuzuar, edhe pse ishte më i madh se kudo tjetër.
(b) Në dy nga zonat ku kërkesat për leje strehimi ishin prezantuar, rritja e perceptimit të sigurisë publike kishte qenë më e shpejtë se mesatarja e Roterdamit. Tarwewijk kishte treguar një rritje në fillim, por tani ishte kthyer aty ku kishte qenë para se masa të prezantohej. Një zonë tjetër në fakt kishte rënë ndjeshëm në këtë drejtim. Të gjitha zonat ku kërkesat për leje strehimi ishin zbatuar ishin perceptuar në mënyrë të konsiderueshme më pak të sigurta se Roterdami në tërësi.
(c) Në aspektin e cilësisë sociale, ka pasur përmirësim në shumicën e pjesëve të Roterdamit, ku ekzistonin problemet, ku përfshihej dhe Tarwewijk. U vu re, megjithatë, se efekti i lejeve të strehimit në këtë drejtim ishte i kufizuar, duke qenë se ndikonte vetëm në përzgjedhjen e banorëve të rinj, jo të rezidentëve tashmë ekzistues.
(d) Problemet e strehimit, përcaktuar në terma të qarkullimit, shtëpive të papërdorura, dhe ngritja e çmimeve të shtëpive, ishin rritur disi në zonat e ndikuara duke përfshirë Tarwewijk, megjithëse me një ritëm më të vogël se kudo. Arsyet e raportuara për një rritje të tillë, ishin një fluks i emigrantëve me prejardhje kryesisht joevropiane (Nieuwe Nederlanders, "shtetasit e rinj Holandez") dhe rezidentët e rinj afatshkurtër nga Evropa Qendrore dhe Lindore; këta të fundit në mënyrë të veçantë prireshin të qëndronin për tre muaj ose më pak para se të lëviznin, dhe aktiviteti i tyre ekonomik ishte më i vështirë për t’u mbajtur nën vëzhgim, duke qenë se shumë ishin të vetëpunësuar.
58. Organet e strehimit social prireshin që t’i shihnin kërkesat për leje strehimi si shqetësuese, duke qenë se krijonin punë shtesë. Ata e kuptonin masën më tepër si një instrument të përshtatshëm për të trajtuar abuzimet nga pronarët privatë, me kusht që të zbatohej në mënyrë aktive dhe të thjeshtoheshin procedurat administrative. Personat që ishin të përfshirë profesionalisht në tregun e shtëpive të Roterdamit përmendnin efektin jo bindës të masës ndaj atyre që do të ishin banorët e rinj të zonave të prekura.
59. Raporti sugjeronte se kërkesat për leje strehimi nuk do të nevojiten më për zonat ekzistuese të “nxehta” (jo Tarewijk). Anasjelltas, pesë distrikte të tjera të Roterdamit, shënuan vlera të larta për të tre treguesit, ndërkohë që një i gjashtë tejkaloi vlera kritike për të katërtin.
3. Raporti i vlerësimit për vitin 2011
60. Një raport i tretë vlerësimi, këtë herë i porositur nga Shërbimi i Zhvillimit të Qytetit të Roterdamit (Departamenti i Strehimit), u botua nga Qendra për Kërkime dhe Statistika në gusht 2012 (edicioni i dytë i rishikuar). Ai mbulonte periudhën nga korriku 2009 deri në korrik të vitit 2011 ("raporti i vlerësimit i 2011").
61. Bazuar në të njëjtët tregues dhe metodologjinë e raportit të mëparshëm, ai arriti në përfundimin se sistemi i lejeve të strehimit duhet të jetë i vazhdueshëm në Tarewijk dhe dy zona të tjera (duke përfshirë edhe një i cili ishte prezantuar ndërkohë, në vitin 2010); ndërprerë në dy të tjera; dhe prezantuar në një zonë ku nuk ishte ende në fuqi.
4. Vlerësime të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta)
62. Më 18 Korrik 2012 Ministri i Punëve të Brendshme dhe Marrëdhënieve të Mbretërisë (Minister van Binnenlandse Zaken en Koninkrijksrelaties) i dërgoi një raport të veçantë vlerësimi Dhomës së Ulët të Parlamentit, ku vlerësonte efektivitetin e Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (masat e veçanta) dhe efektet e tij në praktikë, siç kërkohet në nenin 17 të Aktit. Mesazhi zyrtar i Ministrit deklaronte synimin e Qeverisë për të prezantuar legjislacionin, në mënyrë që të zgjatet vlefshmëria e Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (masa të veçanta). Kërkesat për këtë qëllim ishin marrë nga një numër i qyteteve të prekura. U vu re se jo të gjitha qytetet në fjalë kishin përdorur të gjitha mundësitë që ofroheshin nga Akti; në veçanti, vetëm Roterdami përdorte lejet e strehimit për të zgjedhur rezidentë të rinj në zona të veçanta. Bashkëngjitur me letrën e Ministrit ishte një kopje e raportit të vlerësimit të vitit 2009 dhe një letër nga Burgomaster dhe Aldermen e Roterdamit, në të cilën, ndër të tjera, ishte deklaruar dëshira për të shtrirë përtej dy periudhave të para katër vjeçare, të dhënat e zonave të veçanta për të aplikuar kërkesa për leje strehimi: masa u konsiderua një sukses, dhe një program njëzet vjeçar që përfshinte përmirësimin në shkallë të gjerë të strehimit dhe infrastrukturës (“National Programme Quality Leap South Rotterdam” (Nationaal Programma Këaliteitssprong Rotterdam Zuid, shih më poshtë)) kishte filluar në pjesët jugore të Roterdamit në 2011.
5. Programi Kombëtar për kapërcimin cilësor të problemeve në Jug të Roterdamit
63. Më 19 Shtator 2011, Ministri i Marrëdhënieve të Brendshme dhe atyre me Mbretërinë, (në emër të Qeverisë), Burgomasteri i Roterdamit (në emër të Komunës së Roterdamit), dhe Kryetarë të një numri njësish bashkiake (deelgemeenten), organet sociale të strehimit dhe institucionet edukuese, firmosën Programin Kombëtar për kapërcimin cilësor të problemeve në Jug të Roterdamit. Ky dokument theksoi problemet sociale që prevalonin në zonat e brendshme në Jug të Roterdamit, i cili u propozua për të adresuar, duke parashikuar mundësi më të mira për edukim dhe aktivitete ekonomike, ose nëse është nevoja për të zëvendësuar strehimin dhe infrastrukturën. Programi ishte parashikuar të përfundonte në vitin 2030.
64. Më 31 tetor 2012, Ministri i Marrëdhënieve të Brendshme dhe Mbretërisë, Anëtari i Këshillit Bashkiak të Roterdamit për Strehimin, planifikim hapësinor, Pasurinë e Paluajtshme dhe Ekonominë e qytetit (wethouder wonen, ruimtelijke ordening, vastgoed en stedelijke economie) dhe Kryetarët e tre organeve të strehimit social aktiv në Roterdam nënshkruan një "marrëveshje në lidhje me një impuls financiar për përfitimet e Kapërcimit Cilësor të problemeve në Jug të Roterdamit (2012-2015))” (Convenant betreffende een financiële impuls ten behoeve van de Këaliteitssprong Rotterdam Zuid (2012-2015)). Kjo marrëveshje parashikonte një rishikim të prioriteteve në financimin e Qeverisë të projekteve të strehimit dhe infrastrukturës në zonën e Jugut të Roterdamit, brenda buxheteve ekzistuese dhe një investim shtesë prej 122 milionë euro (EUR). Për sa i përket shumës së fundit, 23 milionë euro ishin rezervuar nga komuna e Roterdamit deri në vitin 2014;10 milionë euro do të shtohen për periudhën që fillon në vitin 2014. Këto fonde do të përdoren për të riparuar ose zëvendësuar 2.500 shtëpi në Jug të Roterdamit. 30 milionë euro do të siguroheshin nga Qeveria. Pjesa tjetër do të shpenzohej nga organet e banimit social, në projekte në kuadër të kompetencave të tyre përkatëse.
B. Zhvillimet Pasuese Legjislative
1. Akti për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta) (vazhdim)
65. Në 19 Nëntor 2013, Qeveria propozoi një Akt për të ndryshuar Aktin për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta) (Dokumentet Parlamentare, Dhoma e Ulët e Parlamentit 2013/2014, 33 797, nr. 2). Memorandumi shpjegues deklaroi se qëllimi i tij ishte që t’u jepte fuqi komunave të ndalonin abuzimet në sektorin privat të banesave me qira, duke u dhënë atyre fuqi më të gjera zbatuese dhe duke bërë zgjerime të mëtejshme të Aktit.
66. Akti për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta) (vazhdim) (wet uitbreiding wet bijzondere maatregelen grootstedelijke problematiek) hyri në fuqi në 14 Prill 2014, duke mundësuar caktimin e zonave të veçanta, sipas Nenit 8 të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta), një ditë para se t’i përfundonte afati. Ai bën zgjerime të mëtejshme për caktimin e mundshëm të periudhave pasuese katër vjeçare (neni (2) i Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masa të Veçanta), i ndryshuar).
2. Amendamenti i Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta) në lidhje me ndarjen selektive të banesave në mënyrë që të kufizohej sjellja kriminale dhe problemet
67. Një akt i mëtejshëm u prezantua në 8 Tetor 2015 (Dokumentet Parlamentare, Dhoma e Ulët e Parlamentit 2015/2016, 34 314, nr. 2). Ky akt parashikonte se komunat mund t’ia refuzonin lejen e strehimit individëve që kanë historik kriminal. Sipas Memorandumit shpjegues (Dokumentet Parlamentare, Dhoma e Ulët e Parlamentit 2015/2016, 34 314, nr. 3), qëllimi ishte të sigurohej një bazë ligjore për masat të cilat mund të përbënin ndërhyrje në të drejtën për lirinë e vendbanimit, e garantuar nga Neni 2 i Protokollit nr.4 i Konventës dhe Neni 12 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, dhe, duke qenë se masat në fjalë do të sjellin zbulime të informacioneve të policisë ndaj autoriteteve lokale, në të drejtën për jetë private të garantuar nga, inter alia, Neni 8 i Konventës, Neni 17 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Neni 7 i Kartës për të Drejtat Themelore të Bashkimit Evropian. Aktualisht kjo çështje ka mbetur pezull në Dhomën e Ulët të Parlamentit.
C. Ngjarjet pasuese lidhur me kërkuesen
68. Në 27 Shtator 2010, kërkuesja u zhvendos në shtëpinë e marrë me qira në komunën e Vlaardingen. Kjo komunë është pjesë e Rajonit Metropolitan të Roterdamit.
69. Në 25 Maj 2011, kërkuesja ka qenë rezidente në Rajonin Metropolitan të Roterdamit për më shumë se gjashtë vjet. Në këtë mënyrë, ajo kishte të drejtë që të banonte në një nga zonat e caktuara sipas Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta), pavarësisht nga burimet e saj të të ardhurave.
D. Informacioni tjetër i paraqitur nga palët
70. Qeveria deklaroi se nga kërkuesja nuk ishte kërkuar as leje strehimi, as ripërtëritje e saj, për banesën në Rrugën A., ku banonte në kohën që kanë ndodhur ngjarjet mes 2007 dhe 2010, dhe një leje e tillë nuk ishte aplikuar për periudhën para vitit 2007.
IV. E DREJTA NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
71. Neni 12 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike parashikon si më poshtë:
“1. Kushdo që ndodhet në mënyrë të ligjshme në territorin e një shteti, ka të drejtën e lirisë së lëvizjes dhe lirisë së zgjedhjes së vendbanimit, brenda atij territori.
2. Kushdo është i lirë që të largohet nga çdo shtet, duke përfshirë shtetin e tij.
3. Të drejtat e sipërpërmendura nuk do të bëhen subjekt i asnjë kufizimi, përveç atyre që janë parashikuar nga ligji, që janë të nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare, rendin publik (ordre public), shëndetin publik ose moralin, apo të drejtat dhe liritë e të tjerëve, dhe që janë në përputhje me të drejtat e të tjera të parashikuar nga Pakti për të Drejtat Civile dhe Politike.
4. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga e drejta për të hyrë në vendin e tij.”
E DREJTA
PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 2 TË PROTOKOLLIT NR.4 TË KONVENTËS
72. Kërkuesja u ankua se Akti për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta) dhe ligji i vitit 2003 për Strehimin i komunës së Roterdamit, dhe në veçanti neni 2.6 i këtij të fundit (që ishte në fuqi në atë kohë), kishte shkelur të drejtat e saj të parashikuara në Nenin 2 të Protokollit Nr. 4, i cili parashikon si më poshtë:
“1. Kushdo që ndodhet në mënyrë të ligjshme në territorin e një Shteti ka të drejtë, brenda këtij territori, të lëvizë lirisht dhe të zgjedhë lirisht vendbanimin e tij.
2. Çdo person është i lirë të largohet nga çdo vend, duke përfshirë vendin e tij.
3. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund të bëhet objekt i kufizimeve të tjera nga ato të parashikuara në ligj dhe të domosdoshme në një shoqëri demokratike për sigurimin kombëtar ose sigurinë publike, ruajtjen e rendit publik, parandalimin e veprave penale, mbrojtjen e shëndetit apo të moralit, ose mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.
4. Të drejtat e parashtruara në paragrafin 1, në disa fusha të caktuara, mund t’u nënshtrohen disa kufizimeve të vendosura në përputhje me ligjin dhe të justifikuara nga interesi publik në një shoqëri demokratike.”
A. Pranueshmëria
1. Kundërshtimet paraprake të Qeverisë
(a) Mos qenia më viktimë
74. Qeveria parashtroi fillimisht se kërkuesja nuk ishte më viktimë për shkeljen e pretenduar. Ajo u zhvendos në shtëpinë me qira në Vlaardingen në 2010; më pas, ishte rezidente për më shumë se gjashtë vjet në Rajonin Metropolitan të Roterdamit, në rrethana normale për një leje strehimi ishte e pranueshme që t’i lejonte asaj të banonte në një nga zonat e caktuara në Aktin për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta). Kufizimet për të cilat është bërë ankimi, nuk ishin zbatuar më.
75. Kërkuesja deklaroi, se ajo ishte detyruar të jetonte në kushte të parehatshme dhe të pashëndetshme, si rezultat i refuzimit të lejes së strehimit, e cila do të mundësonte që ajo të vendosej në një shtëpi të përshtatshme dhe të arritshme për nevojat e saj. Ajo gjithashtu pohoi se para se të vendosej atje ka shpenzuar 1,000 euro për përmirësimin e banesës në rrugën B.
76. Sipas jurisprudencës së qëndrueshme të Gjykatës, një vendim ose masë e favorshme ndaj kërkuesit, mund të mjaftojë që t’i heqë atij/asaj statusin e “viktimës” për qëllime të Nenit 34 të Konventës, duke siguruar që autoritet kombëtare e kanë pranuar në mënyrë të shprehur apo në thelb, dhe më pas kanë akorduar shpërblim për shkeljen e Konventës (shih, O’Keeffe k. Ireland [GC], nr. 35810/09, § 115,GJEDNJ 2014 (ekstraktet)).
77. Në çështjen konkrete, megjithëse kërkuesja, tashmë kualifikohet për një leje strehimi që do ta lejonte atë të jetonte në Tarewijk, vendosi të jetonte në një komunë tjetër brenda zonës Metropolitane të Roterdamit, kombinuar ky fakt me skadimin e afatit për të përfituar nga kjo e drejtë. Nuk ka pasur ndonjë vendim për një masë në favor të kërkueses; asnjë pranim për shkelje të Konventës; dhe, a fortiori, asnjë shpërblim të akorduar ndaj saj.
78. Gjykata në këtë mënyrë e hedh poshtë këtë kundërshtim.
(b) Asnjë disavantazh domethënës
79. Duke iu përgjigjur pretendimit të bërë nga kërkuesja se kishte shpenzuar 1,000 EURO për të përmirësuar banesën e saj në Rrugën B., Qeveria argumentoi se vendimi i kërkueses për të realizuar këtë shpenzim, rezultonte nga një zgjedhje e bërë nga ajo vetë, para se të merrej ndonjë vendim autoriteti publik. Kërkuesja në këtë mënyrë nuk kishte pësuar ndonjë disavantazh për të cilin, Qeveria e paditur mund të ishte përgjegjëse.
80. Qeveria vuri në dukje, veç kësaj, se nuk ishte aplikuar për ndonjë leje ndërtimore në adresën e mëparshme të kërkues në Rrugën A., ndërkohë që kërkuesja banonte atje, dhe nuk ishte kryer ndonjë punë e madhe rinovuese pasi ajo ishte larguar. Ky, dhe fakti se kërkuesja nuk kishte kërkuar një leje strehimi, pavarësisht se tani përmbushte kushtet për një leje të tillë, pavarësisht të ardhurave, tregonte se marrja e lejes nuk kishte domethënie të madhe për të. Së fundmi Qeveria referoi te Shefer k. Rusisë (dec.), nr. 45175/04, 13 Mars 2012.
81. Në përgjigje të argumentit të Qeverisë, kërkuesja parashtroi sërish se ajo ishte detyruar që të jetonte në kushte të pakëndshme për një periudhë të zgjatur. Ajo gjithashtu argumentoi se shpenzimi prej 1000 euro, të cilat ajo i kishte humbur, ishte i konsiderueshëm në krahasim me të ardhurat e saj. Kështu ajo kishte pësuar dëm të konsiderueshëm, si pasuror dhe jo pasuror.
82. Sipas mendimit të Gjykatës, problematika e ngritur nga çështja, është nëse kërkuesja kishte apo jo të drejtë që të priste për t’u zhvendosur në banesën në Rrugën B.; Disavantazhi i saj lindi nga refuzimi i autoritetit publik që ta lejonte atë ta bënte një gjë të tillë, kur ajo dëshironte. E parë në këtë këndvështrim, çështja e dëmit, qoftë pasuror ose jo pasuror, nuk ka domethënie të pavarur; ajo mund të lindë vetëm nëse Gjykata gjen një shkelje të të drejtave thelbësore të kërkueses.
83. Gjykata e kupton argumentin e Qeverisë, se nuk është bërë ndonjë rinovim i rëndësishëm në banesën në Rrugën A. në atë kohë, që nënkupton se kërkuesja, në vërtetë nuk kishte nevojë që të zhvendosej nga ajo shtëpi për arsye të lidhura me gjendjen e shtëpisë. Megjithatë, informacioni në dispozicion të Gjykatës është i pamjaftueshëm për të arritur në këtë konkluzion. Në çdo rast, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme të rindërtojë faktet.
84. Gjithashtu nuk është sakaq e dukshme nga vendimi i kërkueses për të fituar të drejtën e qëndrimit në Vlaardingen dhe pamundësia e mëvonshme për të paraqitur një kërkesë të re për leje strehimi në Roterdam, se kërkuesja nuk kishte një interes të vërtetë në marrjen e një leje të tillë në kohën që ndodhen ngjarjet për të cilat është bërë ankim. Mbi të gjitha, në kohën kur kërkuesja u zhvendos nga Roterdami, ajo kishte shteruar mjetet e brendshme dhe kishte paraqitur një kërkesë pranë Gjykatës. Krahasimi me çështjen Shefer k. Rusisë, që kishte të bënte me moszbatimin e një vendimi të brendshëm me interes relativisht të vogël financiar dhe karakterizohej nga mosveprimi i kërkueses për shtatë vjet, para se ajo të merrte ndonjë hap serioz të mëtejshëm, është i papërshtatshëm.
85. Duke qenë se nuk del në pah se kërkuesja ka pësuar ndonjë “dëm jo të rëndësishëm”, Gjykata, gjithashtu e hedh poshtë këtë kundërshtim.
(c) Actio popularis
86. Qeveria parashtroi se ankimi i kërkueses kishte për qëllim që ta detyronte qeverinë të siguronte një “zgjidhje strukturore për një problem të perceptuar". Prandaj, kërkimi kishte natyrën e një actio popularis, dhe sipas këtij arsyetimi duhej të shpallej i papranueshëm.
87. Kërkuesja e pranonte se ajo e konsideronte problemin e ngritur në kërkim e saj si një problem strukturor. Megjithatë, ajo kishte një interes personal në kohën kur ajo paraqiti kërkimin në Gjykatë, pa u vendosur akoma në Vlaardingen.
88. Gjykata rithekson se, në mënyrë që të paraqitet një kërkesë në përputhje me Nenin 34, një person, organizatë jo qeveritare ose grup individësh, duhet të jenë të aftë të pretendojnë se “janë viktimë e një shkelje...të të drejtave të parashikuara në Konventë...” Në mënyrë që të pretendohet qenia viktimë e një shkelje, një person duhet të jetë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga masa e kundërshtuar. Si pasojë, Konventa, nuk parashikon ngritjen e një actio popularis për interpretimin e të drejtave të parashikuara në Konventë, ose të lejojë individët që të ankohen rreth një dispozite të ligjit kombëtar, thjesht sepse ata e konsiderojnë, pa u ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ajo, se mund të jetë në kundërshtim me Konventën (shih, mes çështjeve të tjera, Burden k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13378/05, § 33, GJEDNJ 2008, dhe Centre for Legal Resources on behalf of Valentin Câmpeanu k. Rumanisë [GC], nr. 47848/08, § 101, GJEDNJ 2014).
89. Mund të jetë e vërtetë se dëshira e kërkueses ishte trajtimi i një fenomeni strukturor. Edhe nëse është kështu, duke pasur parasysh se kërkuesja mund të pretendojë që ajo vetë është, ose ka qenë një "viktimë" e shkeljes së pretenduar, kjo nuk është e mjaftueshme për të mohuar kërkimin e saj para Gjykatës. Duhet rikujtuar se Gjykata nuk ekziston thjesht për të mbrojtur të drejtat e individëve, sado të rëndësishme te jenë. Detyra e Gjykatës, siç përcaktohet në nenin 19 të Konventës, është për të siguruar respektimin e angazhimeve të ndërmarra nga Palët e Larta Kontraktuese të kësaj Konvente dhe protokolleve të saj. Një gjë e tillë arrihet duke dhënë gjykimet dhe vendimet rast pas rasti, duke interpretuar dispozitat e Konventës në bazë të kërkesave të paraqitura në përputhje me nenet 33 dhe 34 të Konventës nga Palët Kontraktuese Lartë dhe personat, organizatat joqeveritare apo grupet e individëve që pretendojnë të jenë viktima të shkeljeve të të drejtave të tyre, respektivisht, dhe duke dhënë mendime këshillimore për çështje brenda kompetencave të saj, sipas nenit 47 të Konventës, me kërkesë të Komitetit të Ministrave (shih, në veçanti, Salah k. Holandës, nr. 8196/02, § 69, GJEDNJ 2006- IX (ekstrakte);. shih gjithashtu Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake), 23 mars 1995 § 70, seria A nr. 310).
90. Në çështjen konkrete, nuk ka dyshim se kërkuesja ishte ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe personalisht në refuzimin për leje strehimi, që do t’i mundësonte asaj të vendosej në shtëpinë, që në atë kohë, ishte zgjedhja e saj. Si pasojë kërkuesja mund të pretendojë që është “viktimë” e shkeljes së pretenduar dhe është në pozitë për të paraqitur çështjen para Gjykatës, dhe kundërshtimi i sa më lart duhet të mos pranohet.
2. Përfundimet për sa i përket pranueshmërisë
91. Gjykata konsideron se kërkimi ngre çështjet të faktit dhe ligjit, të cilat janë në mënyrë të mjaftueshme serioze dhe përcaktimi i tyre do të varet nga shqyrtimi i meritave. Nuk ka bazë tjetër për ta deklaruar kërkimin si të papranueshëm. Gjykata në këtë mënyrë e deklaron atë si të pranueshëm.
B. Meritat
1. Argumentet para Gjykatës
(a) Qeveria
92. Qeveria pranon se ka pasur kufizim në të drejtën e kërkueses për të zgjedhur në mënyrë të lirë vendbanimin.
93. Kufizimi në fjalë ishte në “përputhje me ligjin”, duke qenë se kishte një bazë në aktin dhe legjislacionin dytësor të publikuar. Kërkesa në Parlament nga Ministri për Strehimin, Planifikimin Hapësinor, dhe Mjedis për një urdhër për caktimin/ndërtimin e një zone bie brenda fushëveprimit të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta), ishte në formën e një dokumenti parlamentar dhe në këtë mënyrë i aksesueshëm nga publiku. Për më tepër, jo vetëm debatet në Parlament që kanë çuar në miratimin e Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta), por gjithashtu zbatimi i tij në Roterdam, kanë pasur vëmendje të rregullt nga Media. Në këtë mënyrë, kërkesat e aksesueshmërisë dhe parashikueshmërisë ishin plotësuar.
94. Qëllimi legjitim i ndjekur nga masa ishte ruajtja e ordre public. Kjo gjë bëhej mes rregullimit të aksesit në lejet e strehimit për të parandaluar një rritje në përqendrimin e grupeve të disavantazhuara socio-ekonomikisht, ose, me fjalët e Qeverisë, “ndarje” të bazuar në të ardhurat në zona të veçanta, si rezultat i migrimit selektiv. Hyrja e grupeve të paprivilegjuara vendoste një kërkesë përkatësisht më të madhe në strukturat e sigurimeve shoqërore, reduktonte mbështetjen për aktivitetet dhe shërbimet ekonomike, pengonte integrimin, kërcënonte sigurinë publike, dhe çonte në rritjen e krimit. Kufizimet e përkohshme për një hyrje të tillë lejonin të bëheshin përmirësime të qëndrueshme përmes masave të tjera, që tashmë ishin zbatuar dhe priteshin frytet e tyre.
95. Masat e tjera kanë të bëjnë me trajtimin e mbipopullimit të paligjshëm dhe të pronarëve mashtrues të pronave, iniciativat e përbashkëta mes punëtorëve të rinj dhe policisë, shkollimin shtesë dhe kujdesin për fëmijët e moshës për shkollë, duke përfshijnë ekipe të integruara të policisë në komunitet, investime shtesë për përmirësimin e shtëpive jashtë standardeve, dhe një qasje të personalizuar për personat me probleme varësie, të pastrehët dhe ata që shfaqin sjellje antisociale.
96. Autoriteteve sociale të komunës së Roterdamit u është kërkuar që t’i sigurojnë Ministrit se zonat e listuara në aplikimin e tyre, prezantonin një akumulim të problemeve, në pikën që caktimi ishte i nevojshëm. Në këtë rast, Ministri kishe vlerësuar se komuna po bënte çfarë ishte e mundur për të trajtuar problemet, por pavarësisht kësaj, masa shtesë lidhur me disa lagje të veçanta ishin të nevojshme.
97. Masat e kundërshtuara ishin të përkohshme, duke qenë se ishin urdhëruar vetëm për një periudhë maksimumi katër vjeçare. Ndërkohë që ky afat mund të zgjatej për një periudhë të mëtejshme katër vjeçare, kjo nënkuptonte se situata dhe nevoja e vazhdueshme e masave do të vlerësohej në detaje çdo katër vjet.
98. Së fundmi, nevojitej që të përcaktohej se kishte akoma shtëpi të mjaftueshme në rajon për të përmbushur nevojat e atyre që kërkonin shtëpi, ndaj të cilëve nuk mund të jepej një leje strehimi për një zonë të veçantë, si rezultat i caktimit të një zone në përputhje me Aktin.
99. Në lidhje me rrethanat e veçanta të kërkueses, Qeveria vëren se kërkuesja nuk kualifikohej për leje strehimi, që të merrte një shtëpi në Rrugën B në atë kohë, sepse ajo nuk kishte të ardhura nga puna dhe nuk kishte jetuar në Roterdam për të paktën gjashtë vjet. Ajo nuk kishte paraqitur rrethana mjaft bindëse për të marrë një leje strehimi në bazë të klauzolës së vështirësisë, të tilla si një urgjencë mjekësore, ose për shembull një situatë që kishte të bënte me dhunën. Madje, as nuk ishte treguar se banesa e saj në Rrugën A. ishte në gjendje veçanërisht të keqe, duke qenë se në atë kohë nuk ishte kërkuar leje për rinovimin të saj.
100. Së fundmi, fakti i thjeshtë se kërkuesja kishte qenë rezidente në Tarewijk kur Akti për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta) dhe masat zbatuese hynë në fuqi, nuk i jep të drejtë asaj, per se, për një leje strehimi për t’u zhvendosur në një banesë tjetër në Tarwewijk. Personat të cilët banonin tashmë në zonat e caktuara dhe dëshironin të zhvendoseshin, por nuk i përmbushnin kërkesat, ishin të lirë që të vendoseshin në një nga zonat të cilat Qeveria i quante “një nga shumë banesat e përshtatshme, në dispozicion jashtë këtyre zonave”, kjo kontribuonte në arritjen e qëllimeve të Aktit.
(b) Kërkuesja
101. Kërkuesja parashtroi se masat për të cilat është bërë ankim nuk ishin të përshtatshme për problemet të cilat ato supozohet të zgjidhnin. Qëllimi ishte për të përmirësuar cilësinë e jetës në pjesë të caktuara të Roterdamit, duke parandaluar grupet e privuara socio- ekonomikisht për të marrë leje qëndrimi atje. Megjithatë, është reflektuar në Raportin e vlerësimit të vitit 2007 se në mes të korrikut të vitit 2006 dhe në fund të korrikut të vitit 2007 vetëm 184 kërkesa për leje strehimi ishin refuzuar, nga një total prej 2,835 kërkesash (shih paragrafin 47 më lart); kjo sugjeronte se nuk kishte asnjë lidhje shkakësore midis reduktimit në cilësinë e jetës në zonat në fjalë dhe rritjes së numrit të banorëve pa të drejta socio-ekonomike. Në mënyrë të ngjashme, në bazë të vlerësimit të raportit të vitit 2009, i cili mbulonte kohën e ngjarjeve që është bërë kërkimi, nga “afërsisht 6,000” aplikantë për një leje strehimi vetëm 342 ishin hedhur poshtë, 215 nga të cilat ishin bazuar në kërkesën për të ardhurat. Nga këta persona, më pak se gjysma kishin gjetur një shtëpi, në një vend tjetër në Roterdam.
102. Duke iu përgjigjur sugjerimit të nënkuptuar në argumentin e Qeverisë, se procesi legjislativ kishte qenë i përpiktë dhe i legjitimuar në mënyrë demokratike, kërkuesja pohoi se mosmiratimi i procesit ishte shprehur nga dy organe qeveritare. Ajo vuri në dukje kriticizmin e përfshirë në raportin e Komisionit për Trajtim të Barabartë (shih paragrafin 43 më lart) dhe mendimin e Këshillit të Shtetit (shih paragrafin 20 më lart).
103. Në mënyrë më të përgjithshme, kërkuesja vuri në pikëpyetje lidhjen midis të ardhurave të ulëta dhe trazirave. Në parashtrimet e saj, pjesa e vogël e kërkimeve të refuzuara për leje strehimi, nëse merren së bashku me përkeqësimin e cilësisë së jetës vënë në dukje nga ana e raporteve të vlerësimit në Tarwewijk, se një lidhje e tillë nuk ekziston. Për më tepër, personat me të ardhura të ulëta nga burime të ndryshme, nga përfitimet e sigurimeve shoqërore, apo të lidhur me papunësinë, apo disa pensionistëve, nuk u ishte refuzuar rezidenca në zonat në fjalë. Së fundi, arsye të tjera për uljen e cilësisë së jetës në zonat në fjalë të sugjeruara nga raportet e vlerësimit përfshinin fluksin e banorëve të rinj nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe me origjinë jo evropiane.
104. Lidhur me situatën e saj, kërkuesja argumentoi se ajo nuk kishte historik kriminal dhe as histori të një sjelljeje të keqe. Për më tepër, ajo jetonte në Tarwewijk kur ajo aplikoi për leje strehimi, kështu që vendosja e saj në një adresë të re, në të njëjtën zonë, nuk do të kishte shtuar probleme të tjera sociale në atë zonë.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Aplikueshmëria e Nenit 2 të Protokollit Nr. 4
105. Gjykata vëren që në fillim se kërkueses, e cila si një shtetase hollandeze, ishte në mënyrë të ligjshme në territorin e shtetit të saj, i ishte refuzuar një leje strehimi që do ta lejonte atë të vendosej me familjen e saj në një pronë të zgjedhur vetë. Nënkuptohet se kjo pronë ishte në të vërtetë në dispozicion të saj në kushtet që ajo ishte e gatshme dhe e aftë për t’i përmbushur. Për këtë arsye padyshim që ka pasur një "kufizim" në "lirinë e saj për të zgjedhur vendbanimin", në kuptim të nenit 2 të Protokollit nr. 4. Kjo dispozitë konsiderohet se është shkelur, vetëm nëse "kufizimi" në këtë çështje është i justifikuar në bazë të paragrafit të tretë ose të katërt.
106. Kufizimi për të cilin është bërë ankim, ndikon vetëm të drejtën e kërkueses për të zgjedhur vendbanimin, jo të drejtën për lirinë e lëvizjes ose të drejtën për t’u larguar nga vendi. Nuk i drejtohet asnjë individi, apo individëve të veçantë, por ka aplikim të përgjithshëm në zona të veçanta (d.m.th, zonat e kufizuara brenda qytetit të Roterdamit). Gjykata, pra, do ta konsiderojë atë sipas paragrafit të Nenit 2 të Protokollit Nr. 4, i cili lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë më shumë me paragrafin e parë, sesa me të tretin.
107. Për të qenë në përputhje me Nenin 2 § 4 të Protokollit Nr. 4, kufizimi në fjalë duhet të jetë imponuar “në përputhje me ligjin” dhe “të jetë justifikuar nga interesi publik në një shoqëri demokratike”.
(b) Nëse kufizimi në fjalë ishte në “përputhje me ligjin”
108. Nuk ka dyshim se imponimi i një kërkese për leje strehimi në zonat në fjalë ka qenë në përputhje me ligjin vendas, pra, me Aktin për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masa të veçanta) dhe Ligjin për Strehimin të komunës së Roterdamit të vitit 2003 (versioni i vitit 2006, në fuqi në atë kohë).
(c) Nëse kufizimi në fjalë "justifikohet nga interesi publik në një shoqëri demokratike”
109. Mbetet për t’u vendosur nëse kufizimi në fjalë ishte i “justifikuar nga interesi publik në një shoqëri demokratike”. Për të qenë kështu, duhet të jetë ndjekur një “qëllim legjitim” dhe duhet të ketë pasur një “marrëdhënie të arsyeshme proporcionaliteti midis mjeteve të zbatuara dhe qëllimit që kërkohej të arrihej”.
Interesi i ligjshëm
110. Kufizimi në çështje kishte për qëllim të minimizonte përkeqësimin e zonave të varfra të brendshme të qytetit dhe të përmirësonte në përgjithësi cilësinë e jetës. Nuk mund të ketë asnjë dyshim se ky është një qëllim i ligjshëm, i ndjekur nga legjislaturat dhe planifikuesit e qytetit. Sigurisht që as kërkuesja nuk sugjeron ndryshe.
Proporcionaliteti
a. Parimet e aplikueshme
111. Çështja konkrete kërkon nga Gjykata të peshojë të drejtën e individit për të zgjedhur vendbanimin e tij ose të saj, ndaj zbatimit të një politike publike që qëllimisht refuzon një gjë të tillë.
112. Vihet në dukje se një shtet, në përputhje me Konventën mund të miratojë masa të përgjithshme të cilat aplikohen në situata të para caktuara, pavarësisht nga faktet individuale të secilit rast, edhe nëse kjo mund të rezultojë në raste veçanërisht të vështira (shih Ždanoka k. Letonisë [GC], nr. 58278/00, §§ 112-115, GJEDNJ 2006- IV, dhe Animal Defenders International k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 48876/08, § 106, GJEDNJ 2013 (ekstrakte)).
113. Për të përcaktuar proporcionalitetin e masës së përgjithshme, Gjykata së pari duhet të vlerësojë alternativat legjislative në themel të saj. Cilësia e shqyrtimit parlamentar dhe gjyqësor e domosdoshmërisë së masës është e një rëndësie të veçantë në këtë drejtim, duke përfshirë funksionimin e marzhit përkatës të vlerësimit. Gjithashtu është e rëndësishme të merret në konsideratë rreziku i abuzimit, nëse një masë e përgjithshme duhet të vendoset, rrezik i cili është kryesisht në dorë të shteteve për t’u vlerësuar. Aplikimi i një mase të përgjithshme ndaj fakteve të çështjes mbetet, megjithatë, ilustrues për ndikimin e saj në praktikë dhe material për sa i përket proporcionalitetit (shih Animal Defenders, cituar më lart, § 108, me referenca të mëtejshme). Rrjedh se sa më bindëse të jenë justifikimet e përgjithshme për masën e përgjithshme, aq më pak rëndësi do t’i japë Gjykata ndikimit të saj në një rast të veçantë (Animal Defenders, § 109).
114. Duke iu kthyer Nenit 2 të Protokollit Nr. 4 në veçanti, Gjykata thekson fillimisht bashkëveprimin e dukshëm mes lirisë për të zgjedhur vendbanimin dhe lirisë për të respektuar banesën e dikujt (Neni 8 i Konventës). Në të vërtetë, Gjykata ka aplikuar në një rast të mëparshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë arsyetimin lidhur me lirinë për respektimin e banesës së një personi, për një kërkesë sipas Nenit 2 të Protokollit Nr. 4 (shih Noack dhe të Tjerët k. Gjermanisë (dhjetor), GJEDNJ 2000-VI). Në këtë mënyrë, Gjykata do të marrë fillimisht në konsideratë jurisprudencën e saj, sipas këtij Neni.
115. Duhet theksuar, megjithatë, se nuk është e mundur aplikimi i të njëjtës analizë sipas nenit 2 § 4 të Protokollit Nr. 4, dhe sipas nenit 8 § 2, pavarësisht ndërveprimit midis dy dispozitave. Gjykata është shprehur se neni 8 nuk mund të interpretohet sikur jep të drejtën për të jetuar në një vend të caktuar (shih Ward k. Mbretërisë së Bashkuar, (dhjetor), Nr. 31888/03, 9 nëntor 2004 dhe Codona k. Mbretëria e Bashkuar (dhjetor), nr. 485/05, 7 shkurt 2006). Në të kundërt, liria për të zgjedhur vendbanimin është në zemër të nenit 2 § 1 të Protokollit Nr. 4, dispozitë e cila do të bënte të pavlefshme të gjitha kuptimet, në qoftë se në parim nuk u kërkon shteteve Kontraktuese për të përshtatur preferencat individuale në këtë çështje. Prandaj, çdo përjashtim nga ky parim duhet të diktohet nga interesi publik në një shoqëri demokratike.
116. Parimet e aplikueshme gjenden në jurisprudencën e Gjykatës; edhe pse e zhvilluar sipas Nenit 8 të Konventës dhe Nenit 1 Protokolli Nr.1 respektivisht, parimet i kapërcejnë këto nene të veçanta.
Parimet janë si më poshtë:
(a) Gjykata, në kuadër të nenit 1 të protokollit nr.1 ka mbajtur qëndrimin se sfera të tilla si strehimi, të cilat shoqëritë moderne i konsiderojnë si një nevojë parësore sociale dhe që luajnë një rol qendror në mirëqenien dhe politikat ekonomike të Shteteve Kontraktuese, mundet që shpesh të konsiderohen si një formë rregullimi nga ana e shtetit. Në këtë sferë, vendimet nëse, dhe nëse po kur, mund t’i lihen plotësisht lojës së forcave të tregut të lirë, ose nëse duhet të jenë subjekt i kontrollit shtetëror, si dhe zgjedhja e masave për sigurimin e nevojave për strehim të komunitetit dhe të kohës për zbatimin e tyre, domosdoshmërish përfshin shqyrtimin e çështjeve komplekse sociale, ekonomike dhe politike. Konsiderimi si i natyrshëm i faktit se marzhi i vlerësimit në dispozicion të organit ligjvënës në zbatimin e politikave ekonomike dhe sociale duhet të jetë i gjerë, Gjykata në shumë raste ka deklaruar se do të respektojë gjykimin e organit ligjvënës kur është në interes të “publikut” ose në interesin e “përgjithshëm”, vetëm nëse ai vendim është haptazi pa një bazë të arsyeshme. (shih, mutatis mutandis, Hutten-Czapska k. Polonisë [GC], nr. 35014/97, § 166, GJEDNJ 2006‑VIII, me referenca të mëtejshme). Më konkretisht, Gjykata ka pranuar se në një zonë komplekse dhe të vështirë si ajo e zhvillimit të qyteteve të mëdha, shteti gëzon një hapësirë të gjerë vlerësimi në mënyrë që të zbatojë politikën e tij për planifikimin e qytetit (shih Ayangil dhe të tjerëk. Turqisë, nr. 33294/03, § 50, 6 dhjetor 2011).
(b) Kur konsiderata të përgjithshme të politikave sociale dhe ekonomike kanë lindur në kontekstin e Nenit 8, që kanë të bëjnë me të drejtat e një rëndësie kryesore, lidhur me identitetin e individit, vetëvendosjen, integritetin fizik dhe moral, ruajtjen e marrëdhënieve me të tjerët dhe vendosjen në një vend të sigurt në komunitet, fusha e lirisë së vlerësimit varet nga konteksti i çështjes, ku rëndësi e veçantë i jepet masës së ndërhyrjes në sferën personale të kërkuesit (shih Connors k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 66746/01, § 82, 27 maj 2004;.. McCann kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr 19009/04, § 49, GJEDNJ 2008 dhe Zehentner k Austrisë, nr 20082/02, § 57, 16 korrik 2009)...
(c) Kur diskrecioni për të ndërhyrë në gëzimin e një të drejte të Konventës, si ajo në fjalë në çështjen konkrete, i është dhënë autoriteteve kombëtare, masat mbrojtëse procedurale në dispozicion të individit do të jenë veçanërisht materiale në përcaktimin nëse shteti i paditur, kur ka përcaktuar kuadrin rregullator, ka qëndruar brenda marzhit të tij të vlerësimit. Në të vërtetë është e vendosur në jurisprudencën e Gjykatës që, ndërsa neni 8 nuk përmban kërkesa të qarta procedurale, procesi i vendimmarrjes që çon në masat e ndërhyrjes duhet të jetë i drejtë dhe i tillë që të përballojë respektimin e interesave të garantuara për individin nga Neni 8 (shih midis çështjeve të tjera, Buckley kundër Mbretërisë së Bashkuar, 25 shtator 1996, § 76, Raportet e Gjykimeve dhe vendimeve 1996-IV; Chapman, cituar më lart, § 92; Connors, cituar më lart, § 83, dhe Zehentner, cituar më lart, § 58).
(d) Është gjithashtu e përshtatshme, në mënyrë që të vlerësohet proporcionaliteti i ndërhyrjes, të ekzaminohen mundësitë e shtëpive alternative që ekzistojnë (shih Winterstein dh të Tjerët k. Francës, nr. 27013/07, § 159, 17 Dhjetor 2013).
117. Gjykata do të marrë parasysh faktet e çështjes në fjalë, sipas kësaj linje.
b. Aplikimi i parimeve të mësipërme në çështjen konkrete
118. Në çështjet që rrjedhin nga kërkimet individuale detyra e Gjykatës nuk është shqyrtimi i legjislacionit përkatës ose praktikës në mënyrë abstrakte; ajo duhet aq sa të jetë e mundur të kufizojë veten, pa parë kontekstin e përgjithshëm, të shqyrtojë çështjet e ngritura nga çështja para saj (shih, midis çështjeve të tjera, Guincho kundër Portugalisë, 10 korrik 1984, § 39, seria A nr. 81..; . Pisano k. Italisë (rrëzim) [GC], nr. 36732/97, § 48, 24 tetor 2002;.. Van Anraat k.Holandës (dhjetor), nr. 65389/09, § 75, 6 korrik 2010; dhe S.H dhe të tjerët kundër. Austrisë [GC], nr.57813/00, § 92, GJEDNJ, 2011). Si rrjedhojë, detyra e Gjykatës nuk është të zëvendësojë autoritetet kompetente kombëtare në përcaktimin e politikave më të përshtatshme për rregullimin e aksesit në strehim.
119. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet roli thelbësisht subsidiar i mekanizmit të Konventës. Autoritetet kombëtare kanë legjitimitet të drejtpërdrejtë demokratik dhe janë, ashtu siç është shprehur Gjykata në shumë raste, në parim në një pozicion më të mirë se një gjykatë ndërkombëtare për të vlerësuar nevojat dhe kushtet lokale. Në çështjet e politikës së përgjithshme, në të cilën mendimet brenda një shoqërie demokratike mund të ndryshojnë gjerësisht në mënyrë të arsyeshme, rolit të brendshëm të politikë-bërësve u duhet dhënë peshë e veçantë (shih, për shembull, Maurice k. Francës [GC], nr. 11810/03 , § 117, GJEDNJ 2005-IX, dhe S.A.S k. Francës [GC], nr. 43835/11, § 129, GJEDNJ 2014 (ekstrakte)).
120. Marzhi i Shtetit, në parim shtrihet edhe për vendimin e tij për të ndërhyrë në zonën e përcaktuar dhe, pasi ka ndërhyrë, për parashikimin e rregullave të hollësishme në mënyrë që të arrihet një ekuilibër mes interesave publike dhe private. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se zgjidhjet e arritura nga legjislativi janë përtej shqyrtimit të Gjykatës. I takon Gjykatës të shqyrtojë me kujdes argumentet e marra në konsideratë gjatë procesit legjislativ dhe që kanë çuar në zgjedhjet që janë bërë nga legjislativi për të përcaktuar nëse është arritur një balancë e drejtë ndërmjet interesave të shtetit dhe të atyre që preken direkt nga këto zgjedhje legjislative (shih, mutatis mutandis, S.H dhe të tjerët k. Austrisë, cituar më lart, § 97, dhe Parrillo k. Italisë [GC], nr. 46470/11, § 170, 27 gusht 2015).
121. Për sa i përket sfondit legjislativ dhe politik të çështjes, Gjykata së pari vëren se autoritetet vendase konsideruan se duhet të adresonin rritjen e problemeve sociale në veçanti në zonat e brendshme të qytetit të Roterdamit, që rezultojnë nga varfërimi i shkaktuar nga papunësia dhe një tendencë që veprimtaria fitimprurëse ekonomike të transferohet diku tjetër. Ata kërkuan që të kufizonin këto tendenca duke favorizuar banorët e rinj, të ardhurat e të cilëve ishin të lidhura me veprimtaritë fitimprurëse të kaluar ose të tanishme ekonomike të tyre, (shih paragrafët 21 dhe 23 më lart). Për këtë qëllim u miratua Akti për Problemet e Brendshme të Qytetit.
112. Ministrit kompetent i kërkohet nga Neni 17 i Aktit për t’i raportuar Parlamentit çdo pesë vjet për efektivitetin e Aktit dhe efektet e tij në praktikë, siç ishte bërë në fakt më 18 korrik 2012 (shih paragrafin 62 më lart).
123. Duke konsideruar se masat e adoptuara kishin pasur sukses, autoritetet e brendshme e kishin zgjatur efektin e tyre, duke i lidhur ato me një program njëzet vjeçar, i cili përfshinte investime publike të konsiderueshme (shih paragrafin 63-64 më lart).
124. Kufizimet në fjalë janë të përkohshme dhe të kufizuara gjeografikisht, caktimi i zonave të veçanta të vlefshme për më shumë se katër vjet (shih nenin 5(2) të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta); paragrafi 18 më lart).
125. Në të njëjtën kohë, e drejta e individëve në pamundësi për të gjetur banesë të përshtatshme njihet nga klauzola mbrojtëse e mishëruar në Aktin për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta): së pari, Neni 5 (1), i cila kërkon që Këshilli Lokal t’i sigurojë Ministrit se ka banesa të mjaftueshme në dispozicion në nivel lokal për ata që nuk kualifikohen për leje strehimi; së dyti, Neni 7 (2), i cili parashikon se përcaktimi i një zone në bazë të këtij Akti, do të revokohet nëse ka banesa alternative të pamjaftueshme në dispozicion në nivel lokal për të prekurit; dhe së treti, klauzola individuale e vështirësisë e parashikuar nga Neni 8 (2) (shih paragrafin 18 më lart).
126. Është e natyrshme që procesi legjislativ përfshin kriticizmin e propozimeve legjislative, por kërkuesja tërhoqi vëmendjen e Gjykatës për kritikat nga Komisioni për Trajtimin e Barabartë, ndaj një versioni të mëparshëm të Ligjit për Strehimin të Roterdamit (i cili, Gjykata vëren, nuk është në diskutim në çështjen konkrete) dhe nga Këshilli i Shtetit, versioni i parë i propozimit legjislativ qeveritar. Duke lexuar historinë legjislative të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (masat e veçanta), shihet se kundërshtimet e ngritura ishin adresuar nga Qeveria, dhe Parlamenti në vetvete shqetësohej për kufizimin e efekteve të dëmshme. Në fakt, klauzolat mbrojtëse të përmendura në paragrafin e mësipërm, i detyrohen shumë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë parlamentare.
127. Në këto rrethana, Gjykata nuk mund të konstatojë se politika e vendimeve të marra nga autoritetet vendase janë haptazi pa baza të arsyeshme. Sigurisht diferenca midis numrit të lejeve të strehimit të dhëna dhe të refuzuara (shih paragrafët 47 dhe 53 më lart), e cila në parashtrimet e kërkueses tregonte se masa në fjalë ka qenë joefektive, nuk mundet në vetvete të justifikojë një konstatim të tillë, në qoftë se vetëm për shkak të interpretimit të saj injorohet roli i organeve të banesave sociale në ndarjen e shtëpive (shih paragrafët 48 dhe 52 më lart) dhe numri i aplikimeve për një leje strehimi që nuk ka arritur deri në përfundimin e tyre (shih paragrafin 53 më lart).
128. Disponueshmëria e zgjedhjeve alternative nuk nënkupton në vetvete se masa në fjalë ishte e pajustifikuar; ajo përbën një faktor, ndërmjet të tjerëve, që është i rëndësishëm për përcaktimin nëse mjetet e zgjedhura mund të konsiderohen si të arsyeshme dhe të përshtatshme për arritjen e qëllimit legjitim të ndjekur.
Duke siguruar që ndërhyrja të mbetet brenda këtyre kufijve, të cilët Gjykata, në pikëpamje të konsideratave të mësipërme, mendon se janë përmbushur, nuk i takon Gjykatës që të konstatojë nëse masa për të cilën është bërë ankim, përfaqësonte zgjidhjen më të mirë për t’u përballur me problemin, ose nëse diskrecioni i Shtetit duhej ushtruar në një mënyrë tjetër (shih, mutatis mutandis, James dhe të tjerët k. Mbretërisë së Bashkuar, 21 shkurt 1986, § 51, Seria A nr. 98; Mellacher dhe të tjerët k. Austrisë, 19 Dhjetor 1989, § 53, Seria A nr. 169; Blečić k. Kroacisë [GC], nr. 59532/00, § 67, GJEDNJ 2006‑III; dhe Animal Defenders, cituar më lart, § 110).
129. Duke konkluduar në këtë mënyrë se pala e paditur kishte, në parim, të drejtë për të adoptuar legjislacionin dhe politikat në fjalë, Gjykata tani i kthehet aplikimit në çështjen konkrete.
130. Kërkuesja u zhvendos në Roterdam në Maj 2005; ajo në këtë mënyrë, nuk i kishte plotësuar gjashtë vjet rezidencë në Zonën Metropolitane të Roterdamit, në kohën e vendimeve për të cilat është bërë ankim. Të ardhurat e saj konsistonin ekskluzivisht në përfitimet e asistencës sociale. Ajo nuk i vërtetoi kryetarit, anëtarit të këshillit të Roterdamit dhe gjykatave administrative se situata e saj personale ishte e tillë për të aplikuar klauzolën e vështirësisë. Refuzimi i lejes së strehimit, që do ta kishte lejuar atë të vendosej në banesën në Rrugën B, ishte në këtë mënyrë në përputhje me ligjin dhe politikën e zbatueshme.
131. Arsyeja e deklaruar nga kërkuesja për t’u vendosur në banesën e ofruar nga pronari i saj në Rrugën B ishte se për nevojat e saj për banim, ndërtesa ishte më e përshtatshme se shtëpia e saj në Rrugën A, ishte më e gjerë, kishte një kopsht dhe me sa duket ishte në gjendje më të mirë. Kërkuesja nuk ishte penguar asnjëherë që të vendosej në një shtëpi në Roterdam, në zonat që nuk mbulohen nga legjislacioni në fjalë. Megjithatë ajo nuk ka deklaruar asnjë arsye, bindëse ose arsye tjetër, për të cilën ajo dëshironte të jetonte në Tarwewijk në vend të zonave të tjera të qytetit të Roterdamit, ose në Zonën Metropolitane të Roterdamit, ku mund të kenë pasur në dispozicion shtëpi të tjera të përshtatshme.
132. Është i rëndësishëm fakti se kërkuesja është kualifikuar për një leje strehimi në bazë të legjislacionit, që nga maji i vitit 2011, ka jetuar për një periudhë të pandërprerë prej gjashtë vjetësh në Rajonin Metropolitan të Roterdamit (shih paragrafët 68 dhe 69 më lart). Megjithatë, ajo është akoma në banesën e saj aktuale në Vlaardingen.
133. Gjykata nuk ka asnjë arsye të dyshojë se kërkuesja ishte një person me një sjellje të mirë dhe nuk përbënte asnjë kërcënim për rendin publik; në të vërtetë Qeveria nuk e kundërshtoi kërkuesen për këtë pikë. Megjithatë, kjo nuk mund në vetvete të jetë e mjaftueshme që të konsiderohet më e rëndësishme se interesi publik, i cili përcaktohet nga aplikimi i qëndrueshëm i politikave të ligjshme publike.
134. Në këtë mënyrë, në këto rrethana, Gjykata nuk mund të konstatojë se kryetari dhe anëtari i Këshillit të Roterdamit kishin detyrimin të përmbushnin preferencat e kërkueses.
135. Si përfundim, Gjykata thekson se nuk ka pasur mungesë mbrojtje të përshtatshme për kërkuesen në procesin vendimmarrës të çështjes së saj.
136. Në këtë mënyrë, nuk ka pasur shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr. 4.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Deklaron, në mënyrë unanime, kërkimin si të papranueshëm;
2. Mban qëndrimin, me pesë vota pro dhe dy kundër, se nuk ka pasur shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr.4 të Konventës.
Hartuar në anglisht, dhe njoftuar me shkrim në 23 Shkurt 2016, në përputhje me Rregullin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Stephen PhillipsLuis López Guerra
KancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe rregullin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimi i pakicës i gjyqtarëve López Guerra dhe Keller i është bashkëngjitur këtij vendimi.
L.L.G.
J.S.P.
MENDIMI I PËRBASHKËT I PAKICËS I GJYQTARËVE LÓPEZ GUERRA DHE KELLER
1. Me keqardhje, ne nuk biem dakord me konstatimet e shumicës se nuk ka pasur shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr. 4 të Konventës në çështjen konkrete, i cili është një nga shumë pak kërkimet që ngre problematika themelore lidhur me të drejtën e shtetasve për të zgjedhur vendbanimin në mënyrë të lirë, që është paraqitur para Gjykatës deri më sot. Ne konsiderojmë se pyetja nëse paragrafi 2 i Protokollit Nr. 2, paragraf 3 ose paragrafi 4, aplikohet në çështjen konkrete, kërkon një përgjigje të menduar më mirë se ajo që është dhënë nga shumica. Për më tepër, çështja ngre një problem themelor, atë se cilin nivel shqyrtimi duhet të zbatojë Gjykata në shqyrtimin e një kufizimi individual për të drejtën për të zgjedhur vendbanimin lirisht. Ne nuk mund të pajtohemi me arsyetimin e shumicës dhe për këtë arsye konkludojmë se e drejta e kërkuesit sipas nenit 2 të Protokollit Nr. 4 është shkelur.
2. Faktet e çështjes konkrete janë veçanërisht “goditëse”. Kërkuesja, një shtetase holandeze e cila është një nënë beqare me dy fëmijë të mitur, jetonte në Tarwewijk nga viti 2005 në një apartament me një dhomë, një zonë e caktuar si “e nxehtë” sipas Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masat e Veçanta). Ajo nuk kishte të kaluar kriminale, nuk ishte e njohur për ndonjë sjellje shqetësuese dhe nuk kishte shkaktuar asnjëherë probleme në banesën e saj. Megjithatë, ajo ishte e varfër dhe jetonte me asistencë sociale. Ajo i përket grupeve të paprivilegjuara nga ana socio-ekonomike, një "e metë" në vetvete ku, sipas nenit 8 të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (masa të veçanta), ishte e mjaftueshme për të kufizuar të drejtën e saj për të zgjedhur lirisht vendbanimin, për aq kohë sa ajo ende nuk kishte jetuar në Rajonin Metropolitan të Roterdamit për gjashtë vjet.
3. Vetëm fakti që kërkuesja jetonte në një dhomë të vetme me dy fëmijët e saj ishte shkak për ankth me pasoja të prekshme, si për kërkuesen dhe fëmijët e saj; për këtë arsye, ajo kërkoi që të vendosej në një apartament më të përshtatshëm me tre dhoma dhe me një kopsht në Tarwewijk. Kërkesa e saj për një leje strehimi u refuzua në mars të vitit 2007, për arsyet e përmendura më lart. Një kufizim i lirisë së kërkues për të zgjedhur vendbanimin e saj konsiderohej, në këtë mënyrë, i nevojshëm nga ana e shtetit, sepse kërkuesja, apo më saktësisht varfëria e kërkueses, përbënte një kërcënim për ordre public, ose për një tjetër "interes publik në një shoqëri demokratike" brenda kuptimit të paragrafit 3 dhe 4, respektivisht të nenit 2 të Protokollit nr.4.
4. Para se të ekzaminojmë nëse masa në fjalë në çështjen konkrete ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike, si fillim do të donim të adresonim dallimin midis paragrafit 3 dhe 4 të Nenit 2 të Protokollit Nr. 4, duke marrë parasysh si travaux préparatoires lidhur me atë Nen dhe interpretimin e Nenit të ngjashëm në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike të Kombeve të Bashkuara (Neni 12 ICCPR – shih paragrafin 71 të vendimit).
I. Dallimi midis paragrafit 3 dhe 4 të Nenit 2 të Protokollit Nr. 4
5. Në paragrafin 106 të vendimit, gjykata argumenton se paragrafi i katërt i nenit 2 të Protokollit nr. 4 është i zbatueshëm për çështjen konkrete. Ky argument bazohet në faktin se kufizimi në Nenit 8 të Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (masat e veçanta) nuk i drejtohet individëve, por ka zbatim të përgjithshëm "në zonat e veçanta". Prandaj, shumica, konsideron se faktet e çështjes në fjalë duhet të analizohen në bazë të kriterit të "interesit publik" të sanksionuar në paragrafin 4 të nenit 2 të Protokollit Nr.4. Zbatueshmëria e paragrafëve 3 ose 4 nuk është ndikuar nga një dallim i tillë. Kufizimet në paragrafin 4 lidhen me zona të veçanta, ku "mund të jetë e nevojshme, për arsye legjitime, dhe vetëm në interes të publikut, në një shoqëri demokratike, vendosja e kufizimeve për të cilat nuk mund të jetë gjithmonë e mundur vendosja brenda konceptit të “ordre public” (shih Raportin Shpjegues në nenin 2 të Protokollit nr. 4, § 18).
6. Përfshirja e paragrafit 4 në Nenin 2 të Protokollit Nr. 4, vjen për shkak se Këshilli i Komisionit Evropian të Ekspertëve për të Drejtat e Njeriut refuzoi të përfshijë një klauzolë në dispozitën që lejon kufizimet në bazë të mirëqenies ekonomike, për shkak të shqetësimit se një klauzolë e tillë do të lejonte abuzimet nga shtetet (ibid., § 15 (a) dhe 18). Anëtarët e Komisionit e konsideruan atë si një hap prapa për të lejuar kufizime të bazuara thjesht mbi baza ekonomike (ibid., § 15 (f)), që do të thotë se një kufizim në të drejtën për të zgjedhur vendbanimin e dikujt që bazohet vetëm në të ardhurat nuk mund të justifikohet në bazë të kësaj dispozite (në kontrast me formulimin e paragrafit 2 të nenit 8 të Konventës, ku "mirëqenia ekonomike e vendit", është përmendur në mënyrë të qartë; shih gjithashtu paragrafin 22 më poshtë).
7. Për të kuptuar qëllimin e Nenit 2 të Protokollit Nr.4, duhet gjithashtu të merren parasysh ndryshimet e bëra gjatë procesit të hartimit të legjislacionit nga ana e Komitetit të Ekspertëve. Dispozita është hartuar me qëllim për të përdorur "fjalët në kuptimin e tyre më të gjerë të mundshëm, kur përcaktohen rregullat ekuivalente me parimet e përgjithshme të së drejtës", të tilla si liria për të zgjedhur vendbanimin (ibid., § 9). Kjo do të thotë se, për të parandaluar abuzimet nga ana e shteteve, liritë e garantuara në paragrafin 1 të nenit 2 të Protokollit Nr. 4 duhet të ketë kuptimin më të gjerë të mundshëm dhe duhet që të jenë rrallë subjekt i kufizimeve.
8. Pra, paragrafi 4 i Nenit 2 të Protokollit Nr. 4 është i zbatueshëm vetëm nëse një kufizim ka të bëjë me zona të veçanta. Megjithatë, duke qenë se ndërhyrjet duhet të zbatohen në mënyrë prapavepruese, është e diskutueshme nëse ky kriter është i mjaftueshëm në vetvete. Dikush mund të argumentojë, në bazë të historisë së hartimit të Nenit dhe faktit se shtetasit e shteteve anëtare kanë të drejtën absolute de facto të qëndrimit në territorin e shtetit të tyre sipas nenit 12 ICCPR[1], se një kufizim sipas paragrafit 4 është i mundur vetëm në zona të caktuara gjatë situatave emergjente, në analogji me kufizimet në lirinë e lëvizjes (shih Landvreugd k. Holandës, nr. 37331/97, § 71, 4 qershor 2002, dhe Olivieira k. Holandës , nr. 33129/96, § 56, GJEDNJ 2002-IV).
9. Për këto arsye, ne kemi dyshime për zbatueshmërinë e paragrafit 4 në çështjen konkrete dhe në këtë drejtim, e konsiderojmë arsyetimin e Gjykatës si të justifikuar në mënyrë të pamjaftueshme. Dallimi merr rëndësi duke pasur parasysh se paragrafi 4 mbulon kufizimet, në fusha të caktuara, që synojnë "interesin publik në një shoqëri demokratike", ndërsa paragrafi 3 lejon vetëm kufizimet për ruajtjen e ordre public. Nocioni i fundit është më i ngushtë se i mëparshmi. Megjithatë, edhe nëse duhet arritur në përfundimin se paragrafi 4 është i zbatueshëm, është e nevojshme për t’iu përgjigjur një pyetjeje të dytë në lidhje me testin që do të aplikohet nga Gjykata.
II. Testi i nevojës
10. Pyetja kryesore e ngritur në çështjen konkrete lidhet me proporcionalitetin e ndërhyrjes në të drejtën e kërkuesit sipas Nenit 2 të Protokollit Nr. 4, që justifikohet nga interesi publik në një shoqëri demokratike. Kufizimi i së drejtës së kërkueses për të zgjedhur vendbanimin e saj në çështjen konkrete, është në zemër të Nenit 2 të Protokollit Nr. 4. Ky fakt do të thotë se nevojitet shqyrtim strikt nga Gjykata.
11. Megjithatë, në paragrafin 113 të vendimit, shumica konsideron se sa më bindës të jetë arsyetimi i përgjithshëm për një masë, aq më pak rëndësi do t’i japë Gjykata ndikimit të saj në një çështje të veçantë, duke i dhënë shtetit një hapësirë më të gjerë vlerësimi. Ne nuk pajtohemi me këtë arsyetim. Pse duhet një kufizim të jetë i "justifikuar" ose "i nevojshëm" vetëm për shkak se masa kufizuese është e një natyre të përgjithshme? Sipas mendimit tonë, pyetja vendimtare duhet të jetë, nëse aplikimi individual i kufizimit, duhet të bazohet në një masë të përgjithshme apo individuale, konfliktet me thelbin e të drejtave të garantuara nga Konventa. Është e rëndësishme që të kihet parasysh se edhe kur Shtetet gëzojnë një liri të gjerë vlerësimi, "vlerësimi përfundimtar nëse ndërhyrja është e nevojshme, mbetet objekt i shqyrtimit nga Gjykata për përputhshmërinë me kërkesat e Konventës" (shih Winterstein dhe të tjerët k. Francës, nr. 27013/07, §§ 147-148, 17 tetor 2013) dhe se Shtetet duhet të jenë në gjendje për të parashtruar "arsye të rëndësishme dhe të mjaftueshme" që justifikojnë këto kufizime (shih S. dhe Marper kundër. Mbretërisë së Bashkuar [GC ], nr. 30562/04 dhe 30566/04, §§ 101-102, GJEDNJ 2008).
12. Shumica deklaron në paragrafët 114-117 të vendimit se parimet e zhvilluara në jurisprudencë, lidhur me çështjet sipas nenit 8 të Konventës dhe nenit 1 të protokollit nr.1 janë të zbatueshme për të drejtën për të zgjedhur vendbanimin. Megjithatë, kërkuesja nuk ka ngritur ndonjë çështje në lidhje me strehimin ose mirëqenien sociale. Ky fakt e bën në mënyrë dogmatike të papërshtatshme aplikimin e jurisprudencës së sipër përmendur ndërmjet analogjisë në çështjen konkrete.
13. Në bazë të jurisprudencës së cituar më lart, shumica i akordon organeve ligjvënëse të brendshme një hapësirë të gjerë vlerësimi në zbatimin e politikave sociale dhe ekonomike dhe në përcaktimin e asaj se çfarë është në interesin "publik" ose "të përgjithshëm" (shih paragrafët 116, 118 dhe 120 të vendimit). Megjithatë, fushëveprimi i shtetit për të miratuar vendimet e politikave dhe zbatimin e tyre nuk është në diskutim në këtë rast; as masat e ndryshme të politikave në Aktin për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masave të Posaçme) nuk janë në shqyrtim në mënyrë të përgjithshme. Përkundrazi, Gjykata duhet të sqarojë nëse masa individuale në lidhje me kërkuesen ishte në përputhje me Nenin 2 të Protokollit Nr. 4.
14. Për të përcaktuar nëse një masë ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike, është e rëndësishme të kihet parasysh se duke kufizuar zgjedhjen e lirë të vendbanimit të personave të cilët paraqesin një kërcënim për publikun mund të justifikohet vetëm në interes të të drejtave të të tjerëve, kur një kufizim i tillë është i nevojshëm, proporcional dhe nuk është diskriminues.[2] Ne jemi të mendimit se, meqë masa është e lidhur me burimin e të ardhurave dhe në mënyrë të nënkuptuar e lidhur me përkatësinë sociale dhe gjinore të personave në fjalë, testi i aplikueshëm është testi i nevojës, i parashikuar në nenin 14 të Konventës. Nëse Gjykata dëshiron të huazojë disa frymëzime nga jurisprudenca ekzistuese për të vendosur mbi çështjen konkrete, parimet e zbatueshme në lidhje me diskriminimin duhet të ishin konsideruar si të rëndësishëm. Siç u tha në Vrountou k. Qipros (nr. 33631/06, § 75, 13 tetor 2015), "Progresi i barazisë gjinore është sot një objektiv i madh në Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe arsye të rëndësishme do të duhen të parashtrohen, para se një ndryshim i tillë në trajtim të mund të konsiderohet se është në përputhje me Konventën". Në përgjithësi, mund të thuhet se të varfrit janë një grup i rrezikuar në vetvete,[3] dhe se kufizimet e aplikuara për këtë grup duhet të sigurojnë një "marrëdhënie të arsyeshme proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që kërkohet të realizohet" (shih IB k. Greqisë, § 78, nr. 552/10, GJEDNJ 2014)..; Në këtë kontekst, marzhi i vlerësimit të Shtetit duhet të jetë gjithashtu më i ngushtë (Kiyutin k. Rusisë, nr. 2700/10, § 63, KEDNJ 2011).
15. Në këtë mënyrë ne konkludojmë se “parimi i proporcionalitetit nuk kërkon thjesht që masa e zgjedhur të jetë e përshtatshme në parim për arritjen e qëllimit që kërkohet. Duhet të tregohet gjithashtu se ishte e nevojshme, në mënyrë që të arrihej ky qëllim, për të përjashtuar kategori të caktuara njerëzish... nga fusha e aplikimit të dispozitave në fjalë” (shih Vallianatos dhe të tjerët k. Greqisë, nr. 29381/09 dhe 32684/09, § 85, GJEDNJ 2013).
III. Aplikimi në çështjen konkrete
16. Pyetja e vetme e ngritur në çështjen konkrete është nëse refuzimi i lejes së qëndrimit bazuar në arsyetimin se kërkuesja nuk kishte jetuar në Tarwewijk për një minimum prej gjashtë vjetësh dhe varësia nga asistenca sociale ishin të nevojshme në një shoqëri demokratike.
17. Konsiderimi i lirisë për të zgjedhur vendbanimin, në varësi nga sa vite ka jetuar ai person më parë në një zonë të caktuar, ka një ndikim shumë të ashpër në personin në fjalë. Pengimi për t’u zhvendosur në një zonë të njohur për shkak se ai person nuk ka jetuar atje për gjashtë vite është veçanërisht i vështirë për familjet. Shumica nuk e ka adresuar as këtë pyetje. Sipas mendimit tonë, banorët që jetojnë tashmë në një zonë "të nxehtë" nuk duhet të detyrohen të zhvendosen, pasi qëllimi i ndjekur, që parandalon një rritje të numrit të njerëzve të varfër që kanë nevojë për kujdes dhe mbështetje sociale në një zonë të “nxehtë”, sigurisht mund të arrihet me mjete të tjera (shih paragrafin 23 më poshtë). Përveç kësaj, nuk duket se ka ndonjë justifikim bindës për kërkesën gjashtë vjeçare. Sidomos për fëmijët e vegjël, kjo periudhë kohore është shumë e gjatë. Është po aq e diskutueshme pse një kërkesë e tillë duhet të zbatohet për të gjithë ata që nuk janë rezidentë të rinj në zonë.
18. Megjithatë, shumë më shqetësuese, është kufizimi i bazuar në të ardhurat. Kufizim, jo vetëm që çon në stigmatizimin e të varfërve, por në mënyrë indirekte krijon diskriminim në bazë të racës dhe gjinisë, pasi njerëzit e prekur më rëndë nga papunësia janë emigrantët dhe nënat beqare. Sipas mendimit tonë, pra, masa e kontestuar nuk kualifikohet si e nevojshme në një shoqëri demokratike. Të varfrit në vetvete nuk përbëjnë një kërcënim për sigurinë publike, as nuk janë sistematikisht shkak i krimit, dhe qëllimi legjitim i Aktit për Problemet e Brendshme të Qytetit (Masa të veçanta), nevoja për të përmbysur e kufizuar përkeqësimin e varfërisë në zonat e brendshme të qytetit, mund të arrihet me anë të masave të tjera politike që nuk janë të lidhura me karakteristikat personale.
19. Në çështjen konkrete, kufizimi ka pasur edhe pasoja paradoksale të parandalimit të kërkueses nga përmirësimi i kushteve të saj personale të jetesës. Argumenti i shumicës në paragrafin 131 të vendimit, se kërkuesja nuk ka parashtruar arsye të tjera për dëshirën për t’u vendosur në një apartament më të gjerë është i gabuar, kërkuesja ka të drejtë të zgjedhë lirisht vendbanimin e saj, dhe ajo nuk është e detyruar që ta justifikojë këtë zgjedhje. Në kundërshtim me shumicën, konsiderojmë se është e kuptueshme se kërkuesja nuk u vendos sërish në Tarwewijk, pasi u transferua në Vlaardingen (shih paragrafin 132 të aktgjykimit). Nuk dihet për Gjykatën nëse apartamenti në Tarwewijk do të kishte qenë ende dispozicion, dhe është gjithashtu e qartë se zhvendosja gjeneron kosto dhe është e vështirë, sidomos për fëmijët.
20. Është gjithashtu e kuptueshme se pse Gjykata ka refuzuar që të marrë në konsideratë faktin se kërkuesja, nënë e dy fëmijëve të vegjël, nuk përbënte një rrezik për rendin publik (shih paragrafin 133 të vendimit). Kjo është kryesore për të përcaktuar proporcionalitetin e masës në fjalë. Në këtë mënyrë, në arrijmë në konkluzionin se ishte jo proporcional refuzimi i lejes së strehimit kërkueses, dhe klauzola e vështirësisë duhet të ishte aplikuar në rastin e saj.
21. Për më tepër, komenti i Komitetit të Përgjithshëm të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara Nr. 27 mbi Nenin 12 të ICCPR, në mënyrë eksplicite deklaron se “komiteti ka kritikuar dispozitat që u kërkojnë individëve të aplikojnë për leje për të ndryshuar vendbanimin ose për të kërkuar aprovim nga autoritetet lokale për vendin e destinacionit”.[4] Prandaj, ne konsiderojmë që një kufizim në zgjedhjen e vendbanimit të dikujt në bazë të të ardhurave nuk plotëson testin e nevojës dhe kërkesat e proporcionalitetit. Kjo linjë argumentimi është mbështetur edhe nga fakti se Këshilli i Komitetit Evropian të Ekspertëve për të Drejtat e Njeriut e hoqi dispozitën që shprehte kufizimet që janë të nevojshme për mirëqenien ekonomike të vendit (shih paragrafin 7 më sipër), e cila dallon në mënyrë të qartë nenin 2 të Protokollit nr. 4 nga neni 8 § 2 i Konventës (për kushte të rrepta në lidhje me nenin e fundit, shih Hasanbasic k. Zvicrës, nr. 52166/09, § 59, 11 qershor 2013).
IV. Përfundime
22. Sipas mendimit tonë, për arsyet e përmendura më lart, në çështjen konkrete është shkelur e drejta e kërkuesit për të zgjedhur vendbanimin.
23. Megjithatë, mendimi ynë nuk duhet keqinterpretuar. Ne pranojmë se problemet me të cilat përballen zonat e varfra janë reale dhe serioze dhe është pa dyshim e ligjshme përpjekja për të përmirësuar këto zona, dhe kjo është e një rëndësie parësore për të shmangur getozimin e tyre. Megjithatë, politika të tilla nuk duhet të lidhen me karakteristikat personale. Synimet e lartpërmendura mund të arrihen përmes masave të tilla si, ulje e taksave për bizneset e vogla, planifikimi urban që favorizon apartamentet më luksoze, rinovimi i shtëpive të braktisura, duke eliminuar qiradhëniet e paligjshme, blerjen e banesave me cilësi të ulët, dhe sigurimin e më shumë mësuesve dhe kujdesit në shkolla.
24. Çdo legjislacion stereotip, veçanërisht kur përfshin stigmatizimin e të varfërve, është në vetvete problematik. Po aq të rrezikshëm janë kufizimet në baza të një çështje konkrete, të tilla si, të dhënat penale (shih paragrafin 67 të vendimit), sëmundjet apo raca. Vendimi aktual dështon të njohë faktin se përjashtimi i grupeve të cenueshme në bazë të karakteristikave personale të individëve, duke pasur parasysh efektin e vet stigmatizues nuk mund të ndryshojnë lehtësisht dhe është më problematik.
[1]Manfred Nowak, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. CCPR Commentary, Kehl, Strasbourg, Arlington 1993, Neni 12, paragrafi 8.
[2] Manfred Nowak, op.cit., paragrafi 48.
[3] Laurens Lavrysen, “Strengthening the Protection of Human Rights of Persons Living in Poverty under the ECHR”, 33(3) Netherlands Quarterly of Human Rights (2015), 293–325.
[4] UN Human Rights Committee (HRC), CCPR General Comment No. 27: Article 12 (Freedom of Movement), 2 Nëntor 1999, CCPR/C/21/Rev.1/Add.9, paragrafi 14 and 16.
Full & Egal Universal Law Academy