© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I PESTË
ÇËSHTJA GARDEL k. FRANCËS
(Kërkesëpadi nr. 16428/05)
VENDIM
STRASBURG
17 dhjetor 2009
I FORMËS SË PRERË
17/03/2010
Ky vendim është bërë i formës së prerë sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Gardel k. Francës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Pestë), e mbledhur në një dhomë të përbërë nga:
Peer Lorenzen, kryetar,
Renate Jaeger,
Jean-Paul Costa,
Rait Maruste,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Mirjana Lazarova Trajkovska, gjyqtarë,
e nga Claudia Westerdiek, sekretare seksioni,
Pasi e shqyrtoi çështjen në seancë të mbyllur më 24 nëntor 2009,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 16428/05) e drejtuar kundër Republikës Franceze dhe me anë të së cilës një qytetar i këtij shteti, Z. Fabrice Gardel (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 30 prill 2005 sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësi, i cili ka përfituar ndihmë gjyqësore, përfaqësohet nga Z. P. Souchal, avokat në Nansi. Qeveria franceze (“Qeveria”) përfaqësohet prej agjentes së saj, Znjës E. Belliard, drejtore e Çështjeve Juridike në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
3. Paditësi ankohej veçanërisht për regjistrimin e tij në skedarin gjyqësor kombëtar të kriminelëve seksualë pas dënimit të tij. Ai i referohej nenit 7 të Konventës.
4. Më 1 tetor 2007, Gjykata ka vendosur të njoftojë Qeverinë për kërkesëpadinë. Duke u mbështetur në dispozitat e nenit 29 § 3, ajo vendosi të shqyrtojë në të njëjtën kohë edhe pranueshmërinë e themelësinë e çështjes.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Paditësi ka lindur në vitin 1962 dhe ndodhet tani në burg në Monmedi.
6. Pas një denoncimi të bërë nga prindërit e të resë S. më 18 shkurt 1997, paditësi është marrë në hetim nën akuzat për kryerje marrëdhëniesh seksuale dhe për sulm seksual ndaj një të miture nën pesëmbëdhjetë vjeçe nga një person që kishte autoritet mbi të.
7. Gjatë hetimit, ai ka bërë disa kërkesa për veprime e për masa hetimore plotësuese, të cilat janë rrëzuar nga juridiksionet hetimore.
8. Nëpërmjet një urdhërese të datës 15 prill 2003, një gjyqtar hetues i Gjykatës së shkallës së parë në Bar-lë-Dyk, duke konstatuar parashkrimin e tyre, ka shpallur pushimin e pjesshëm të çështjes për sa u përkiste fakteve lidhur me sulmet seksuale. Nga ana tjetër, magjistrati ka urdhëruar që paditësi të merrej si i pandehur për kryerje marrëdhëniesh seksuale me një të mitur nën pesëmbëdhjetë vjeçe nga një person që kishte autoritet mbi viktimën.
9. Më 30 tetor 2003, Gjykata Penale e Mëzës e ka dënuar paditësin me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie dhe e ka zhveshur atë për një afat dhjetëvjeçar nga të gjitha të drejtat e tij civile, qytetare e familjare.
10. Paditësi nuk e ka apeluar këtë vendim, por ka bërë një rekurs për rishikim të çështjes duke paraqitur një numër dokumentesh që sipas tij mund të ngjallnin njëfarë dyshimi rreth fajësisë së tij.
11. Më 9 mars 2004, me ligjin nr. 2004-204, është krijuar skedari gjyqësor kombëtar i automatizuar i autorëve të veprave penale seksuale (FIJAIS).
12. Më 11 prill 2005, Komisioni për Rishikimin e Dënimeve Penale e ka hedhur poshtë kërkesën e paditësit.
13. Më 28 shkurt 2005, paditësi i ka drejtuar një lutje Gjykatës së Zbatimit të Dënimeve në Kretej për të dhënë një masë pezullimi të dënimit. Më 17 qershor 2005, kjo kërkesë është hedhur poshtë me arsyetimin se nga ekspertizat mjekësore nuk rezultonte “që jeta e kërkuesit t’i ketë ditët e numëruara dhe as që gjendja e tij shëndetësore të jetë e papajtueshme për një kohë të gjatë me qëndrimin e tij në burg. Pra, në gjendjen e tij, ai nuk i plotëson kushtet e kërkuara nga neni 720-1-1 i Kodit të Procedurës Penale dhe nuk mund të pretendojë për atë masë”. Gjykata ka rikujtuar se përfundimi i dënimit të paditësit ishte më 27 maj 2019 dhe se dosja e tij gjyqësore përmendte një tjetër dënim për cenime seksuale ndaj një të miture nën pesëmbëdhjetë vjeçe nga një person me autoritet mbi të (dënimin më 29 gusht 2002 nga Gjykata e Apelit e Nansisë me gjashtë vjet burgim dhe me mbikëqyrje shoqërore e gjyqësore për sulm seksual mbi të mitur). Ajo ka marrë parasysh pastaj raportet mjekësore që bënin fjalë për një kardiopati të lindur nga e cila është i prekur kërkuesi, duke e bërë të pamundur çdolloj sforcimi, dhe që këshillonin një regjim të zakonshëm burgimi të përmirësuar, pra qeli më vete, shmangie ecjeje ose sforcimi, dietë pa kripë, marrje të rregullt ilaçi. Ajo i është referuar gjithashtu ekspertizës psikiatrike të kryer më nëntor 2004 dhe sipas së cilës ecuria psikologjike e kërkuesit “duket shumë e kufizuar meqenëse ai nuk e analizon në mënyrë kritike sjelljen e vet. Ai nuk shpreh as ndjenjë faji, as ndjenjë përgjegjësie lidhur me faktet të cilat i kundërshton. Një mbështetje me psikoterapi do të mund ta ndihmonte për të ardhmen që të arrijë të ketë marrëdhënie më të kënaqshme me personat që takon”.
14. Më 13 tetor 2005, dhoma e zbatimit të dënimeve e Gjykatës së Apelit të Parisit e ka lënë në fuqi këtë vendim.
15. Më 22 nëntor 2005, paditësi ka marrë njoftim nga një toger policie i komisariatit të L’Ai-le-Rozës për regjistrimin e tij në skedarin gjyqësor kombëtar të automatizuar të autorëve të veprave penale seksuale (FIJAIS) për arsye të dënimit të tij nga Gjykata Penale e Mëzës dhe sipas dispozitave kalimtare të ligjit të 9 marsit 2004, të cituar më lart. Dokumenti përmes të cilit bëhej njoftimi ishte i hartuar me këto fjalë:
“Unë i nënshkruari Z. Gardel Fabrice pranoj që kam marrë sot njoftim se jam regjistruar në FIJAIS për arsye të [vendimit] për heqje lirie të dhënë më 30 tetor 2003 nga Gjykata Penale e Mëzës dhe se, për këtë arsye, në zbatim të nenit 706-53-5 të Kodit të Procedurës Penale, jam i detyruar:
1. të paraqes prova për adresën time: (...)
Një herë në vit, ose pranë administratorit të skedarit (Ministrisë së Drejtësisë) (...) ose pranë komisariatit të policisë apo brigadës së xhandarmërisë të vendbanimit tim (...), brenda muajit kur bie data e përvjetorit të ditëlindjes sime ose muajit janar, po qe se ai është i panjohur ose i papërcaktuar. (...)
Pranoj shprehimisht se marr dijeni që:
Kam qenë objekt i një dënimi të formës së prerë për një vepër penale që ndëshkohet nga ligji me një dënim për dhjetë vjet a më shumë. Për rrjedhojë, jam i detyruar të tregoj prova për adresën time duke u paraqitur personalisht çdo gjashtë muaj. (...)
Marr shënim që, në qoftë se largohem nga territori kombëtar, detyrimi për paraqitje personale pezullohet gjatë qëndrimit tim jashtë vendit, por se më takon në të gjitha rastet të vazhdoj të paraqes prova rreth vendbanimit tim duke i dërguar letër me njoftim marrjeje shërbimit administrues të FIJAIS-it (...) të shoqëruar me vërtetimet e vendbanimit, të vizuara prej autoriteti konsullor nga i cili varem.
2. të deklaroj ndryshimet e adresës sime brenda një afati maksimal prej pesëmbëdhjetë ditësh pas këtij ndryshimi, sipas të njëjtave formalitete.
E pranoj se jam informuar:
- se duhet të paraqes prova për adresën time për herë të parë brenda pesëmbëdhjetë ditësh pas marrjes së këtij njoftimi, me përjashtim të rastit nëse ky më vjen më pak se dy muaj para ditës së parë të muajit të lartpërmendur të datëlindjes ose nëse jam tashmë i detyruar për të paraqitur çdo vit prova për adresën time;
- se mosrespektimi i këtyre detyrimeve ndëshkohet me një dënim me 2 vjet burgim dhe me 30 000 euro gjobë;
- se çdo mosplotësim i këtyre detyrimeve do të bëhet objekt për një procedurë vënieje në alarm të autoriteteve gjyqësore dhe të shërbimeve policore ose të njësive të xhandarmërisë, çka mund të sjellë si pasojë regjistrimin tim në skedarin e personave në shpallur në kërkim dhe mund të shoqërohet me ndjekje penale;
- se në zbatim të nenit R. 53-8-13, përligjja dhe deklarimi i ndryshimit të adresës, të parashikuar nga neni 706-53-5 bëhen nëpërmjet çdolloj dokumenti të lëshuar më pak se tre muaj më parë në emrin tim e që e vërteton vendbanimin tim, kryesisht dëftesë ose faturë;
- se, në qoftë se dokumenti i paraqitur i referohet vendbanimit të një personi të tretë, ai duhet të jetë i shoqëruar me një deklaratë të hartuar e të nënshkruar prej tij, ku të vërtetohet se më ka dhënë strehim.
Pranoj gjithashtu se jam informuar që kam të drejtat e mëposhtme:
- në zbatim të ligjit për informatikën e ruajtjen e të dhënave personale dhe të nenit 706-53-9, mund të marr një kopje të të gjitha informacioneve të regjistruara në skedar që kanë të bëjnë me mua, duke i bërë kërkesë Prokurorit të Republikës të rrethit ku jam me vendbanim;
-se, në qoftë se vendimi që e përligj regjistrimin tim është marrë nga një autoritet gjyqësor i huaj, do të mund të kërkoj pranë Prokurorit të Republikës të Nantës që të korrigjohet, të fshihet ose të kufizohet në një herë në vit shpeshtësia e detyrimit për paraqitje, brenda kushteve të neneve R 53-8-27 e pasues.”
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME LIDHUR ME ÇËSHTJEN
16. Skedari gjyqësor kombëtar i automatizuar i autorëve të veprave penale seksuale (FIJAIS), i krijuar në vitin 2004, është një skedar identifikimi gjyqësor, sipas mënyrës së skedarit të automatizuar të shenjave të gishtërinjve (FAED), të skedarit kombëtar të gjurmëve gjenetike (FNAEG) dhe të kartotekës gjyqësore kombëtare (CJN), ndër të cilët kjo e fundit është më e vjetra. Sipas një raporti informues rreth skedarëve të policisë të dorëzuar në Asamblenë Kombëtare më 24 mars 2009, ka një shumëfishim skedarësh policie: ndërkohë që grupi i punës i kryesuar nga Z. Alain Bauer regjistronte tridhjetë e katër skedarë më 2006, ai ka regjistruar përafërsisht dyzet e pesë të tillë më 2008, përveç një duzine skedarësh që ishin “duke u përgatitur”.
Përgjegjëse dhe administruese e FIJAIS-it është Ministria e Drejtësisë. Ai mbahet nga shërbimi i Kartotekës Gjyqësore Kombëtare (CJN) në Nantë dhe kontrollohet nga magjistrati që e drejton CJN-në.
A. FIJAIS
17. Skedari gjyqësor kombëtar i automatizuar i autorëve të veprave penale seksuale ose “të dhunshme” është krijuar me ligjin nr. 2004-204 të 9 marsit 2004 për përshtatjen e sistemit të drejtësisë ndaj zhvillimeve të kriminalitetit. Ai ka për qëllim të parandalojë përsëritjen e veprave penale seksuale, të lehtësojë identifikimin e autorëve të tyre dhe t’i lokalizojë ata me shpejtësi e në çdo kohë.
Formalitetet e regjistrimit të personave që kanë qenë autorë të veprave penale të këtij lloji përpara hyrjes në fuqi të ligjit të mësipërm saktësohen përmes disa masave kalimtare. Këto dispozita zbatohen ndaj autorëve të veprave të kryera përpara datës së shpalljes së këtij ligji, por që janë bërë objekt, pas kësaj date, të një prej vendimeve të parashikuara nga neni 706-53-2 i Kodit të Procedurës Penale (shih, këtu më poshtë, paragrafin 18). Ato mund të zbatohen gjithashtu ndaj personave që vuanin, para datës së shpalljes së këtij ligji, një dënim me heqje lirie (me kërkesë të prokurorit).
1. Kodi i Procedurës Penale (KPP)
18. Dispozitat e KPP-së që lidhen me çështjen janë këto :
Neni 706-47
“Këto dispozita zbatohen për procedurat lidhur me vrasjet, me paramendim ose jo, të një fëmije të mitur, të paraprira ose të shoqëruara me kryerje marrëdhëniesh seksuale, tortura ose akte barbarie, apo për veprat penale të sulmit ose të cenimeve seksuale a të shfrytëzimit të prostitucionit të një të mituri ose të shtytjes së një të mituri në prostitucion (...)
Këto dispozita zbatohen gjithashtu për procedurat lidhur me krimin e vrasjes, me paramendim ose jo, të kryer me tortura ose akte barbarie, me krimet e torturave ose të akteve të barbarisë dhe me vrasjet, me paramendim ose jo, të kryera në mënyrë të përsëritur.”
Neni 706-53-1
“Skedari gjyqësor kombëtar i automatizuar i autorëve të veprave penale seksuale ose të dhunshme përbën një bazë të dhënash personale që mbahet nga shërbimi i kartotekës gjyqësore nën autoritetin e ministrit të Drejtësisë dhe nën mbikëqyrjen e një magjistrati. Me qëllim që të parandalohet përsëritja e krimeve të përmendura në nenin 706-47 dhe të lehtësohet identifikimi i autorëve të tyre, informacionet e parashikuara në nenin 706-53-2 mblidhen, ruhen dhe u jepen personave të autorizuar, sipas mënyrave të parashikuara në këtë kapitull.”
Neni 706-53-2
“Kur kanë të bëjnë me një ose disa nga krimet e përmendura në nenin 706-47, duke përjashtuar rastet që lidhen me dispozitat e paragrafit të fundit të këtij neni, informacionet që regjistrohen në skedar janë ato rreth identitetit, si edhe adresa ose adresat e njëpasnjëshme të banesës dhe, nëse është rasti, të vendbanimeve të tjera, të atyre personave që janë bërë objekt për:
1. Një dënim, qoftë edhe ende jo të formës së prerë, duke përfshirë një dënim në mungesë ose një deklarim fajtor të shoqëruar me një përjashtim nga dënimi apo me një shtyrje dënimi;
2. Një vendim, qoftë edhe ende jo të formës së prerë, të shpallur në zbatim të neneve 8, 15, 15-1, 16, 16 bis dhe 28 të Urdhëresës nr. 45-174 të datës 2 shkurt 1945 lidhur me kriminalitetin e fëmijërisë;
3. Një skemë dënimi alternativ të parashikuar nga neni 41-2 i këtij kodi, vënia në zbatim e së cilës është vërtetuar nga Prokurori i Republikës;
4. Një vendim për pushim çështjeje, për lënie të lirë ose për dhënie pafajësie mbi bazën e dispozitave të paragrafit të parë të nenit 122-1 të Kodit Penal;
5. Një marrje në hetim të shoqëruar me vendosje nën kontroll gjyqësor, kur gjyqtari hetues ka urdhëruar regjistrimin e vendimit në skedar;
6. Një vendim të së njëjtës natyrë me ato të mësipërm, të shpallur nga juridiksionet ose autoritetet gjyqësore të huaja dhe që, në zbatim të një konvente ose marrëveshjeje ndërkombëtare, është bërë objekt për një njoftim të autoriteteve franceze ose është zbatuar në Francë pas transferimit të personit të dënuar.
Skedari përfshin gjithashtu informacionet lidhur me vendimin gjyqësor që ka përligjur regjistrimin dhe natyrën e veprës penale. Vendimet e përmendura në pikat 1 dhe 2 regjistrohen menjëherë sapo shpallen.
Vendimet që kanë të bëjnë me veprat e parashikuara nga neni 706-47 dhe që dënohen me burgim deri në pesë vjet nuk regjistrohen në skedar, me përjashtim të rastit kur ky regjistrim urdhërohet me vendim të shprehur të gjykatës ose, në rastet e parashikuara nga pikat 3 dhe 4, të Prokurorit të Republikës.”
Neni 706-53-4
“Pa dëmtuar zbatimin e dispozitave të neneve 706-53-9 e 706‑53‑10, informacionet e përmendura në nenin 706-53-2 lidhur me të njëjtin person hiqen nga skedari kur vdes i interesuari ose pasi kalon afati i mëposhtëm, i llogaritur nga dita kur të gjitha vendimet e regjistruara kanë pushuar së pasuri efekt:
1. Tridhjetë vjet nëse bëhet fjalë për një krim apo vepër penale të dënuar me dhjetë vjet burgim;
2. Njëzet vjet në rastet e tjera.
Amnistia ose rehabilitimi, si edhe rregullat për fshirjen e dënimeve që figurojnë në kartelën gjyqësore, nuk sjellin fshirjen e këtyre informacioneve.
Këto informacione nuk mund të shërbejnë, të marra veçmas, si provë për të konstatuar përsëritjen e krimit.
Informacionet e regjistruara sipas pikave 1, 2 dhe 5 të nenit 706-53-2 hiqen nga skedari në rast vendimi të formës së prerë për pushim çështjeje, për lënie të lirë ose për dhënie pafajësie. Ato të parashikuara në pikën 5 hiqen edhe në rast pushimi ose heqjeje të kontrollit gjyqësor.”
Neni 706-53-5
“Çdo person identiteti i të cilit është regjistruar në skedar u nënshtrohet, për masë sigurie, detyrimeve të parashikuara nga ky nen.
Qoftë pranë administruesit të skedarit, me letër të porositur e me njoftim marrjeje, qoftë pranë komisariatit të policisë ose të xhandarmërisë së vendbanimit të vet, me letër të porositur e me njoftim marrjeje ose duke u paraqitur pranë shërbimit, personi është i detyruar:
1. Të paraqesë prova për adresën e tij një herë në vit;
2. Të deklarojë ndryshimet e adresës së tij brenda një afati prej pesëmbëdhjetë ditësh pas atij ndryshimi.
Në qoftë se personi është dënuar me vendim të formës së prerë për një krim ose një vepër penale që ndëshkohet me dhjetë vjet burgim, ai duhet të paraqesë prova për vendbanimin e tij në çdo gjashtë muaj, duke u paraqitur për këtë qëllim ose pranë komisariatit apo njësisë së xhandarmërisë të vendbanimit të tij, ose pranë grupimit të xhandarmërisë të departamentit apo drejtorisë së sigurisë publike të departamentit, ose pranë çdo shërbimi tjetër të caktuar nga prefektura.
Për personat që u nënshtrohen detyrimeve të parashikuara në këtë nen, mosrespektimi i këtyre detyrimeve dënohet me dy vjet burgim dhe me 30 000 euro gjobë.
Neni 706-53-6
“Çdo person identiteti i të cilit është regjistruar në skedar informohet për këtë nga autoriteti gjyqësor, ose gojarisht, ose me letër të porositur të dërguar në adresën e fundit të deklaruar.
Ai informohet kështu për masat dhe detyrimet të cilave duhet t’u nënshtrohet në zbatim të dispozitave të nenit 706-53-5 dhe për dënimet që parashikohen në rast mosrespektimi të këtyre detyrimeve.
Kur personi është i burgosur, informacionet e parashikuara nga ky nen i jepen atij në çastin e lirimit përfundimtar ose para masës së parë për lehtësimin e dënimit të tij.”
Neni 706-53-7
i ndryshuar me ligjin nr. 2008-174 të 25 shkurtit 2008 – neni 15
“Informacionet që përmban skedari mund të shfrytëzohen drejtpërdrejt, përmes një sistemi të siguruar telekomunikacionesh:
1. Nga autoritetet gjyqësore;
2. Nga oficerët e policisë gjyqësore, në kuadër të procedurave që kanë të bëjnë me një krim cenimi me dashje të jetës, rrëmbimi ose mbajtjeje peng, apo me një vepër penale të përmendur në nenin 706-47 dhe për ushtrimin e masave të parashikuara në nenet 706-53-5 dhe 706-53-8;
3. Nga prefektët dhe nga administratat shtetërore lista e të cilave është caktuar me dekretin e parashikuar në nenin 706-53-12, për vendimet administrative të marrjes në punë, të emërimeve, të lëshimit të autorizimeve, miratimeve dhe lejeve lidhur me veprimtari a profesione që nënkuptojnë qenien në kontakt me të mitur, si edhe për kontrollin e ushtrimit të këtyre veprimtarive a profesioneve. (...)
Nëpërmjet prefektëve, informacionet që përmban skedari u jepen gjithashtu kryetarëve të bashkive, kryetarëve të këshillave të përgjithshëm dhe kryetarëve të këshillave rajonalë, për vendimet administrative të përmendura në pikën 3 lidhur me veprimtari ose profesione që nënkuptojnë qenien në kontakt me të mitur, si edhe për kontrollin e ushtrimit të këtyre veprimtarive a profesioneve.”
Neni 706-53-8
“Sipas modaliteteve të përcaktuara nga dekreti i parashikuar në nenin 706-53-12, për rast regjistrimi të ri apo ndryshimi adrese lidhur me një të regjistruar ose kur personi nuk e ka sjellë provën e adresës së tij brenda afateve të kërkuara, administratori i skedarit njofton drejtpërdrejt Ministrinë e Brendshme, e cila ia përcjell menjëherë informacionin shërbimeve kompetente të policisë ose të xhandarmërisë.
Shërbimet e policisë ose të xhandarmërisë mund të kryejnë të gjitha verifikimet e duhura dhe të bëjnë të gjitha kërkimet e nevojshme pranë institucioneve publike për të vërtetuar ose gjetur adresën e personit.
Në rast se del që personi nuk ndodhet më në adresën e treguar, prokurori i Republikës kërkon regjistrimin e tij në skedarin e personave të shpallur në kërkim.”
Neni 706-53-9
“Çdo personi që paraqet prova për identitetin e tij, kundrejt kërkesës drejtuar prokurorit të Republikës pranë gjykatës së shkallës së parë të rrethit gjyqësor ku është me vendbanim, i jepen të gjitha informacionet e përfshira në skedar që kanë të bëjnë me të.”
Neni 706-53-10
i ndryshuar me ligjin e 5 marsit 2007
“Çdo person, identiteti i të cilit është i regjistruar në skedar, mund t’i kërkojë prokurorit të Republikës ndreqjen ose urdhërimin për fshirje të informacioneve që kanë të bëjnë me të, në qoftë se këto informacione nuk janë të sakta ose në qoftë se ruajtja e tyre nuk duket më e nevojshme duke pasur parasysh qëllimin e skedarit, për sa i përket natyrës së veprës penale, moshës së personit në kohën kur është kryer ajo, kohës që ka kaluar që atëherë dhe personalitetit të tanishëm të të interesuarit.
Kërkesa për fshirje është e papranueshme për sa kohë që shënimet në fjalë (shfuqizuar me L. nr. 2007-297 të 5 marsit 2007, neni 43, duke nisur nga 7 marsi 2008) “mbeten në Buletinin nr. 1 të kartelës gjyqësore të të interesuarit ose” kanë lidhje me një procedurë gjyqësore në zhvillim e sipër (L. nr. 2007-297 i 5 marsit 2007, neni 43) “për sa kohë që personi nuk është rehabilituar ose që masa në zanafillë rë regjistrimit nuk është fshirë nga Buletini nr. 1.”
Në qoftë se prokurori i Republikës nuk e urdhëron ndreqjen ose fshirjen, atëherë personi mund t’i drejtohet për këtë qëllim gjyqtarit të lirive dhe të ndalimit, vendimi i të cilit mund të kundërshtohet para kryetarit të dhomës së hetimit.
Para se të marrin vendim rreth kërkesës për ndreqje ose për fshirje, prokurori i Republikës, gjyqtari i lirive dhe i ndalimit dhe kryetari i dhomës së hetimit mund të kryejnë të gjitha ato verifikime që i vlerësojnë si të domosdoshme dhe të urdhërojnë veçanërisht një ekspertizë mjekësore të personit. Kur bëhet fjalë për një shënim lidhur me një krim ose me një vepër penale të dënuar me dhjetë vjet burgim e të kryer kundër një të mituri, vendimi për fshirje nga skedari nuk mund të merret pa u bërë një ekspertizë e tillë. (...)”
Neni 706-53-12
“Modalitetet dhe kushtet e zbatimit të dispozitave të këtij kapitulli përcaktohen me dekret të Këshillit të Shtetit, pas marrjes së mendimit të Komisionit Kombëtar të Informatikës dhe të Lirive.
Ky dekret përcakton në veçanti kushtet se si skedari e ruan gjurmën e të gjitha rasteve kur është pyetur e konsultuar.”
Neni R53-8-34
“Skedari i ruan për një afat trevjeçar informacionet lidhur me hyrjet dhe konsultimet e tij, duke e saktësuar statusin e personave apo autoriteteve që e kanë kryer veprimin.
Këto informacione mund të shihen vetëm nga magjistrati në krye të shërbimit që e administron skedarin ose, me lejen e tij, nga personat që autorizohen posaçërisht prej tij.
Ato mund të përdoren për qëllime statistikore.”
2. Jurisprudenca e Këshillit Kushtetues
19. Në vendimin e tij nr. 2004-492 DC të 2 marsit 2004, Këshilli Kushtetues ka thënë se “regjistrimi i identitetit të një personi në [FIJAIS] (...) ka për objekt (...) të parandalojë përsëritjen e këtyre veprave penale dhe të lehtësojë identifikimin e autorëve të tyre; se nga kjo rezulton që ky regjistrim nuk përbën një sanksion, por një masë policore” (§ 74). Më tej, për sa i përket regjistrimit, konsultimit dhe përdorimit të skedarit, ai ka thënë se, duke pasur parasysh, në njërën anë, garancitë e sjella nga kushtet e përdorimit e të konsultimit të skedarit dhe nga dhënia e pushtetit për regjistrim e heqje të së dhënave personale autoritetit gjyqësor, dhe, në anën tjetër, seriozitetin e veprave penale që e përligj regjistrimin e të dhënave personale në skedar dhe përqindjen e përsëritjes që e karakterizon këtë lloj veprash, dispozitat e kundërshtuara japin siguri për një pajtim që është dukshëm jo i çekuilibruar ndërmjet respektimit të jetës private dhe mbrojtjes së rendit publik (§ 87). Së fundi, ai ka vlerësuar se “detyrimi i personave të regjistruar për të njoftuar periodikisht adresën e banesës ose të vendbanimit të tyre nuk përbën një sanksion, por një masë policore që ka si qëllim parandalimin e përsëritjes së veprave penale dhe lehtësimin e identifikimit të autorëve të tyre; se vetë objekti i skedarit e bën të domosdoshëm verifikimin e vazhdueshëm të adresës së këtyre personave; se detyrimi që u vihet atyre për ta bërë të mundur këtë verifikim nuk përbën një [masë] që nuk do të ishte e domosdoshme në kuptimin e nenit 9 të Deklaratës së vitit 1789 (...)” (§ 91).
3. Jurisprudenca e Gjykatës së Kasacionit
20. Në një vendim të dhomës penale të 12 marsit 2008, Gjykata e Kasacionit është shprehur rreth natyrës së regjistrimit (shih gjithashtu Pen. 31 tetor 2006, Bul. pen. nr. 267). Ajo u shpreh në vendim me këto fjalë:
“Meqenëse (...), duke urdhëruar regjistrimin në FIJAIS, Gjykata e Apelit ka zbatuar me përpikëri nenin 216 të ligjit të 9 marsit 2004, i cili parashikon që dispozitat lidhur me këtë regjistrim janë të zbatueshme për veprat penale të kryera para datës së shpalljes së ligjit, nen ky që nuk bie në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të përmendura, përderisa regjistrimi në FIJAIS, duke mos qenë dënim por masë e thjeshtë sigurie, nuk i nënshtrohet parimit të mospasjes fuqi prapavepruese të ligjeve themelore më të ashpra; (...)”
Në jurisprudencën e saj, Gjykata e Kasacionit e ka konfirmuar se, për dënimet me mbi pesë vjet burgim, regjistrimi në FIJAIS bëhet automatikisht (Pen., 16 janar 2008).
4. Grupi i kontrollit të skedarëve të policisë dhe të xhandarmërisë
21. Ky grup pune i ka paraqitur Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Departamenteve e Territoreve të Përtejdetit dhe të Autoriteteve Territoriale, në dhjetor 2008, një raport me titull “Rreth përmirësimit të kontrollit të ngritjes së mekanizmave për një mbrojtje më të mirë të lirive”. Sipas këtij raporti, në FIJAIS, në momentin e çeljes së tij në qershor 2005, ishin regjistruar njëzet mijë e dyqind e njëzet e dy vetë; ata u bënë dyzet e tre mijë e katërqind e tetë në tetor 2008.
B. Kartoteka gjyqësore kombëtare e automatizuar
1. Dispozita të përgjithshme
22. Nenet 768 deri 781 të KPP organizojnë funksionimin e Kartotekës Gjyqësore Kombëtare (CJN). Ajo ruan dënimet e dhëna nga juridiksionet penale, por edhe disa dënime tregtare, administrative e disiplinore, nëse ato nënkuptojnë një pazotësi. Kartela gjyqësore përbëhet prej tre pjesësh. Informacionet që përmban kartela gjyqësore jepen në trajtë buletinesh.
Buletini nr. 1 (neni 774 i KPP) i përmban të tëra skedat e kartelës gjyqësore, domethënë të gjitha dënimet e dhëna lidhur me një person. Ai u jepet vetëm autoriteteve gjyqësore.
Buletini nr. 2 (neni 775 i KPP) përmban shumicën e dënimeve për krime dhe vepra penale, me përjashtim të dënimeve të dhëna ndaj të miturve, të vendimeve të huaja, të kundërvajtjeve dhe të dënimeve me kusht kur afati i vënies në provë ka kaluar. Ekziston mundësia që gjyqtarit t’i kërkohet që një dënim të mos paraqitet në buletinin nr. 2 (por ai mbetet megjithatë i regjistruar në buletinin nr. 1). Ky buletin mund t’i jepet vetëm disa autoriteteve administrative e ushtarake për arsye të caktuara: prefektëve, autoriteteve ushtarake, drejtuesve të ndërmarrjeve publike, etj.
Buletini nr. 3 (neni 775 i KPP) përmbledh dënimet më të rënda të dhëna për kryerje krimi ose vepre penale, kryesisht dënimet me heqje lirie për një kohë mbi dy vjet. Ky buletin është i vetmi që mund t’i jepet personit për të cilin bën fjalë.
2. Procedura e rehabilitimit
23. Kodi Penal parashikon një procedurë rehabilitimi të personave fizikë të dënuar, e cila lejon fshirjen e një dënimi nga kartela gjyqësore në një afat më të shkurtër se ai i parashikuar me ligj (dyzet vjet). Neni 133-1 i këtij kodi thotë se rehabilitimi e fshin dënimin.
24. Neni 133-13 vendos kushtet për rehabilitimin e vetvetishëm:
Neni 133-13
“Rehabilitimi fitohet vetvetiu nga ai person fizik i dënuar i cili, brenda afateve të përcaktuara këtu më poshtë, nuk ka marrë asnjë dënim tjetër penal ose korrektues: (...)
3. Për një dënim të vetëm me burgim që nuk i kapërcen dhjetë vjet ose për dënime të ndryshme me burgim që nuk i kapërcejnë së bashku pesë vjet, pas një afati dhjetëvjeçar të llogaritur ose nga mbarimi i dënimit të vuajtur, ose nga parashkrimi i kryer. (...)”
25. Procedura e rehabilitimit gjyqësor është e organizuar nga Kodi i Procedurës Penale:
Neni 785 paragrafi 1
“Rehabilitimi i të dënuarit, sa është gjallë ai, nuk mund të kërkohet në rrugë gjyqësore përveçse prej vetë atij ose, në rast se ai e ka të ndaluar, nga përfaqësuesi i tij ligjor; në rast vdekjeje dhe nëse plotësohen kushtet ligjore, kërkesa mund të ndiqet nga bashkëshorti ose bashkëshortja, të paralindurit ose të paslindurit e tij e madje mund edhe të paraqitet prej tyre, por vetëm brenda një afati deri në një vit pas datës së vdekjes.”
Neni 786
i ndryshuar me ligjin nr. 2004-204 të 9 marsit 2004 – të hyrë në fuqi më 1 janar 2005
“Për të dënuarit që kanë marrë dënim penal, kërkesa për rehabilitim mund të paraqitet vetëm pas një afati pesëvjeçar (...).
Për të dënuarit me heqje lirie, ky afat fillon të llogaritet nga dita e lirimit të tyre përfundimtar ose, në përputhje me dispozitat e nenit 733, paragrafi i tretë, nga dita e lirimit të tyre me kusht, kur ky nuk është prapësuar (...)”
26. Rregullat për fshirjen e kartelës gjyqësore janë këto të mëposhtmet:
Neni 769
“Hiqen nga kartela gjyqësore skedat që kanë të bëjnë me dënime të fshira nga një amnisti ose të shfuqizuara (...). Po ashtu veprohet (...) me skedat që kanë të bëjnë me dënime (...) të shpallura prej më shumë se dyzet vjetësh dhe që nuk janë pasuar nga ndonjë dënim tjetër penal ose korrektues.
Nga kartela gjyqësore hiqen gjithashtu:
(...)
8. Dënimet që janë bërë objekt rehabilitimi gjyqësor, kur juridiksioni ka urdhëruar shprehimisht heqjen e dënimit nga kartela gjyqësore, në përputhje me paragrafin e dytë të nenit 798.”
III. E DREJTA NDËRKOMBËTARE E LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. Instrumentet e Këshillit të Evropës
27. Konventa e Këshillit të Evropës e vitit 1981 për mbrojtjen e personave ndaj trajtimit të automatizuar të së dhënave me karakter personal (“Konventa për Mbrojtjen e të Dhënave”) i përkufizon “të dhënat me karakter personal” si çdo informacion që ka të bëjë me një person fizik të identifikuar e të identifikueshëm. Konventa thotë konkretisht:
“Hyrje (...)
Duke pasur parasysh se është e dëshirueshme të zgjerohen garancitë për të drejtat e të gjithëve dhe liritë themelore, dhe sidomos të drejtat për të respektuar jetën private, duke marrë parasysh fluksin ndërkufitar në rritje tët ë dhënave personale që i nënshtrohen përpunimit automatik;
Neni 5 – Cilësia e të dhënave
Të dhënat personale që i nënshtrohen përpunimit automatik janë: (...)
b. të regjistruara për qëllime të caktuara e të ligjshme dhe nuk përdoren në mënyrë të papajtueshme me këto qëllime;
c. të përshtatshme, të duhura dhe jo të tepruara në krahasim me qëllimet për të cilat janë regjistruar;
(...)
e. të ruajtura në një trajtë që e lejon identifikimin e personave për të cilët bëhet fjalë për një kohë që nuk e kapërcen atë të domosdoshme për qëllimet për të cilat ato janë regjistruar.
Neni 6 – Kategori të veçanta të dhënash
Të dhënat me karakter personal që kanë të bëjnë me prejardhjen racore, bindjet politike, besimet fetare ose bindje të tjera, si edhe të dhënat me karakter personal që lidhen me shëndetin ose me jetën seksuale, nuk mund të përpunohen automatikisht përveçse kur e drejta e brendshme parashikon garanci të përshtatshme. (...)
Neni 7 – Siguria e të dhënave
Për mbrojtjen e të dhënave me karakter personal të regjistruara në skedarë të automatizuar, merren masa të përshtatshme sigurie kundër prishjes aksidentale ose të paautorizuar, ose humbjes aksidentale, si edhe kundër hyrjes, ndryshimit ose shpërndarjes së paautorizuar.
28. Rekomandimi R (87) 15 i Komitetit të Ministrave, i cili ka synuar të vendosë rregulla për përdorimin e të dhënave me karakter personal në sektorin e policisë (i miratuar më 17 shtator 1987), thotë konkretisht:
“Parimi 2 – Grumbullimi i të dhënave
2.1. Grumbullimi i të dhënave me karakter personal për qëllime policore duhet të kufizohet në aq sa është e domosdoshme për parandalimin e një rreziku konkret ose për shtypjen e një vepre penale të caktuar. Çdo përjashtim nga kjo dispozitë duhet të bëhet objekt i një legjislacioni kombëtar të posaçëm.
(...)
Parimi 3 – Regjistrimi i të dhënave
3.1. Aq sa të jetë e mundur, regjistrimi i të dhënave me karakter personal për qëllime policore duhet të ketë të bëjë vetëm me të dhëna të sakta dhe të kufizohet te të dhënat që janë të domosdoshme për t’u lejuar organeve të policisë të kryejnë detyrat e tyre të ligjshme brenda kuadrit të së drejtës së brendshme dhe të detyrimeve që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare.
(...)
Parimi 7 – Koha e ruajtjes dhe e përditësimi i të dhënave
7.1. Në qoftë se të dhënat me karakter personal që ruhen për qëllime policore nuk janë më të nevojshme për qëllimet për të cilat ishin regjistruar, duhet të merren masa që ato të fshihen.
Për këtë qëllim, është e udhës sidomos të merren parasysh kriteret e mëposhtme: nevoja për t’i ruajtur të dhënat në dritën e përfundimeve të një hetimi për një rast të caktuar; shpallja e një vendimi të formës së prerë e sidomos për dhënie pafajësie; rehabilitimi; parashkrimi; amnistia; mosha e personit për të cilin bëhet fjalë; kategoritë e veçanta të së dhënave.”
B. E drejta e krahasuar
29. Senati i Republikës Franceze ka botuar, në mars 2004, një “Studim legjislacioni të krahasuar” (nr. 133) lidhur me trajtimin e veprave penale seksuale të kryera ndaj të miturve. Ky raport pohon se “skedar për autorët e veprave penale seksuale nuk ka veçse në Angli dhe në Uells”. Në Gjermani nuk ka skedar federal, por dy lande (Bavaria dhe Bremeni) kanë skedarë të posaçëm. Skedari bavarez “HEADS” (Haft-Entlassenen-Auskunfts-Datei-Sexualstraftäter) mund të konsultohet vetëm prej oficerëve të policisë dhe magjistratëve. Në Mbretërinë e Bashkuar, regjistrimi i autorëve të veprave penale është i pakufizuar për personat e dënuar me më shumë se tridhjetë muaj burgim dhe nuk ka mundësi fshirjeje të së dhënave të regjistruara (Sexual Offences Act 2003, seksioni 82).
LIGJI
I. RRETH PRAPËSIMIT PËR MOSSHTERIM MJETESH TË BRENDSHME JURIDIKE
30. Paditësi ankohet për regjistrimin e tij në FIJAIS, për të cilin ai është njoftuar më 22 nëntor 2005. Ai i referohet nenit 7 të Konventës. Ky ankim është bërë gjithashtu objekt pyetjesh të shtruara nga Gjykata lidhur me nenin 8 të Konventës.
31. Qeveria kërkon prapësimin e kërkesës duke thënë se nuk janë shteruar mjetet e brendshme juridike për rekurs lidhur me kërkesën. Ajo vë në dukje se, ashtu siç saktësohej shprehimisht në formularin e njoftimit që i është dorëzuar paditësit, ky e ka pasur mundësinë për t’iu drejtuar prokurorit të Republikës me një kërkesë për korrigjim, sipas nenit 706-53-10 të KPP, mbi bazën e pretendimeve të tij se ka pasur shkelje.
32. Paditësi parashtron se ky tekst nuk mund të interpretohet si një rekurs kundër vetë regjistrimit. Ai vlerëson kështu se kjo mundësi nuk mund të analizohet si një rekurs efektiv kundër regjistrimit në FIJAIS.
33. Gjykata vë re se shtrohet çështja e efektivitetit të rekursit të pretenduar nga Qeveria. Sipas të njëjtës mënyrë me paditësin, Gjykata është e mendimit se rekursi për korrigjim nuk lejon veçse korrigjimin e një gabimi të mundshëm material lidhur me të dhënat e personit të skeduar. Për sa i përket fshirjes së informacioneve të parashikuar nga ligji, nga nenet 706‑53‑4 dhe 706-53-10 të KPP (paragrafi 18 i mësipërm) del se ajo i nënshtrohet disa kushteve në formë dhe në përmbajtje të cilat duhen shqyrtuar në dritën e garancive që u janë dhënë personave të regjistruar në skedar kundër rreziqeve për shpërdorim e arbitraritet. Gjykata vlerëson se ky aspekt është më shumë i lidhur me shqyrtimin e themelësisë së ankimit të bërë duke iu referuar nenit 8 të Konventës. Për pjesën që mbetet, Gjykata vë re se Qeveria kërkon prapësime të tjera për papranueshmëri lidhur me secilin nga ankimet e bëra; ajo do ta shqyrtojë pra pranueshmërinë e tyre këtu më poshtë.
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 7 TË KONVENTËS
34. Paditësi e denoncon regjistrimin e tij në FIJAIS dhe ankohet për zbatimin prapaveprues të ligjit të 9 marsit 2004, ndërkohë që ky i vë atij detyrime më të ashpra sesa ato që ekzistonin atë ditën kur ai u dënua, dhe kjo në kundërshtim me dispozitat e nenit 7 § 1 që shprehet kështu:
“Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose një mosveprim që, në çastin kur është kryer, nuk përbënte vepër penale sipas të drejtës kombëtare ose ndërkombëtare. Po ashtu, nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në çastin kur vepra ka qenë kryer.”
35. Qeveria pretendon se Gjykata nuk ka kompetencë ratione materiae për ta shqyrtuar këtë ankesë. Sipas saj, regjistrimi në FIJAIS nuk mund të përbëjë një “dënim” në kuptimin e jurisprudencës së Gjykatës, kështu që neni 7 nuk gjetka dot zbatim.
36. Qeveria nuk e kundërshton faktin se ligji i 9 marsit 2004 nuk kishte hyrë në fuqi as në kohën e kryerjes së veprës penale, as në atë të dënimit të paditësit. Megjithatë, ajo mbron idenë se masa e akuzuar nuk përbën një “dënim” në kuptimin e kësaj dispozite. Për ta vërtetuar këtë, ajo citon kriteret që Gjykata ka nxjerrë në jurisprudencën e saj, veçanërisht në çështjet Welch k. Mbretërisë së Bashkuar (9 shkurt 1995, § 27, seria A nr. 307-A) dhe Jamil k. Francës (8 qershor 1995, § 30, serie A nr. 317-B). Ndonëse, në çështjen Jamil, Gjykata ka vërejtur se arrestimi për paaftësi paguese përbënte një dënim, me arsyetimin se “i shpallur nga një juridiksion represiv me qëllimin për të ushtruar një efekt frikësues, sanksioni i vendosur ndaj Z. Jamil mund të shpinte në një heqje lirie me karakter ndëshkimor (§ 32), nga ana tjetër ajo ka vendosur se një masë mbikëqyrjeje e posaçme nuk mund të përngjashmohet me një dënim, përderisa ajo synon të pengojë kryerjen e akteve kriminale (Raimondo k. Italisë, 22 shkurt 1994, § 43, seria A nr. 281‑A). Sipas Qeverisë, i tillë është pikërisht objekti i masave të sigurisë ndër të cilat bën pjesë regjistrimi në FIJAIS. Ato mund të përkufizohen si masa mbrojtjeje shoqërore që synojnë të parandalojnë përsëritjen e veprave penale nga autorët e tyre ose të neutralizojnë një gjendje të rrezikshme. Baza e tyre nuk qenka fajësia e autorit të veprës penale, por gjendja e rrezikshme që ai përfaqëson. Kështu, regjistrimi në FIJAIS bëhet “si masë sigurie” (neni 706-53-5 i KPP) dhe nuk qenka një sanksion. Ç’është e vërteta, pika 4 e nenit 706-53-2 të KPP parashikon regjistrimin e një personi në FIJAIS edhe në rast vendimi për pushim çështjeje, për lënie të lirë ose për dhënie pafajësie të mbështetur në nenin 122-1 paragrafi 1 të Kodit Penal i cili thotë se “personi që në momentin e fakteve ka qenë i prekur nga një çrregullim psikik ose neuropsikik, i cili ia kishte hequr gjykimin dhe kontrollin e veprimeve të tij, nuk është i përgjegjshëm penalisht”.
37. Paditësi është i mendimit se regjistrimi në FIJAIS sjell një detyrim që është vendosur nga një tekst që nuk ekzistonte në kohën e dënimit të tij dhe që përbën një dënim më të rëndë sesa ai që zbatohej në kohën kur është kryer vepra penale.
38. Gjykata vëren se paditësi është regjistruar në FIJAIS si pasojë e hyrjes në fuqi të ligjit të 9 marsit 2004. Ky regjistrim është bërë pas dënimit të tij. Kjo masë e ngarkon paditësin me detyrimin që të paraqesë çdo gjashtë muaj prova për adresën e tij dhe të deklarojë çdo ndryshim adrese brenda një afati pesëmbëdhjetëditor.
39. Gjykata duhet të përcaktojë nëse regjistrimi në FIJAIS mund të konsiderohet si një “dënim” në kuptimin e nenit 7 § 1 të Konventës apo përbën një masë që përjashtohet nga fusha e zbatimit të kësaj dispozite (Ibbotson k. Mbretërisë së Bashkuar, vendim i Komisionit i 21 tetorit 1998, nr. 40146/98, dhe Adamson k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.), nr. 42293/98, 26 janar 1999, për sa i përket regjistrimit në një skedar autorësh veprash penale seksuale dhe, mutatis mutandis, Van der Velden k. Vendeve të Ulëta (vend. pran.), nr. 29514/05, GjEDNj 2006-..., për sa i përket ruajtjes nga ana e autoriteteve të kampioneve të ADN-së të marra nga një ankues).
40. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se nocioni “dënim” i nenit 7 ka një rëndësi më vete dhe se Gjykata mbetet e lirë të shkojë përtej pamjeve të jashtme dhe ta vlerësojë vetë nëse një masë e veçantë analizohet në thelb si një “dënim” në kuptimin e kësaj klauzole. Mënyra se si shprehet neni 7 § 1, fraza e dytë, vë në dukje se baza për çdo vlerësim të ekzistencës së një dënimi është që të përcaktohet nëse masa në fjalë është diktuar si pasojë e një dënimi për një “vepër penale”. Në këtë drejtim, ka të tjera elemente që mund të vlerësohen si me rëndësi: cilësimi i masës në të drejtën e brendshme, natyra dhe qëllimi i saj, procedurat e përdorura për caktimin e saj dhe për zbatimin e saj, si edhe serioziteti i saj (Welch, i cituar më lart, §§ 27 dhe 28).
41. Në çështjen në fjalë, Gjykata vë në dukje pikësëpari se regjistrimi i paditësit në FIJAIS rezulton vërtet nga dënimi i tij i shpallur më 30 tetor 2003, meqenëse skedari ka të bëjë automatikisht me personat që, si ai, kanë marrë një dënim me më shumë se pesë vjet për kryerje të një vepre penale me karakter seksual.
42. Për sa i takon pastaj cilësimit juridik që i është dhënë në të drejtën e brendshme, Gjykata vë në dukje se, sipas Këshillit Kushtetues, masa që diskutohet nuk përbën një sanksion por një “masë policore” dhe se, sipas dispozitave që nuk lënë vend për mëdyshje të nenit 706-53-1 të KPP, FIJAIS-i ka për qëllim parandalimin e përsëritjes së veprave penale seksuale ose të dhunshme, identifikimin dhe lokalizimin e autorëve të tyre (paragrafët 18 e 19 të mësipërm).
43. Sa për qëllimin dhe natyrën e kësaj mase që ngjall kundërshti, Gjykata vë re se paditësi e shikon si ndëshkimor detyrimin e ri që i vihet atij. Megjithatë, Gjykata vlerëson se qëllimi kryesor i këtij detyrimi është të pengojë përsëritjen e veprës penale. Lidhur me këtë, ajo është e mendimit se njohja e adresës së personave të dënuar nga shërbimet e policisë ose të xhandarmërisë si dhe nga autoritetet gjyqësore, si rezultat i regjistrimit të tyre në FIJAIS, përmban një element prapësues dhe lejon lehtësimin e hetimeve policore. Detyrimi që rrjedh nga regjistrimi në FIJAIS ka pra një qëllim parandalues e prapësues dhe nuk mund të shihet sikur ka karakter shtypës e sikur përbën një sanksion.
44. Për më tepër, Gjykata vëren se, në qoftë se paditësi e vë veten në rrezik për t’u dënuar me dy vjet burgim e për të paguar një gjobë prej 30 000 eurosh (EUR) në rast moszbatimi të detyrimit, atëherë duhet nisur një procedurë tjetër, krejt e pavarur nga ajo që ka shpënë në dënimin e tij më 30 tetor 2003, gjatë së cilës gjyqtari kompetent do të mund të vlerësojë karakterin fajtor ose jo të asaj shkeljeje (shih, a contrario, Welch, të cituar më lart, § 14).
45. Së fundi, Për sa i përket ashpërsisë së masës që kundërshtohet, Gjykata rikujton se ky element nuk është vendimtar në vetvete (shih Welch, të cituar më lart, § 32). Ajo konsideron, gjithsesi, se detyrimi për të paraqitur prova për adresën çdo gjashtë muaj dhe për të deklaruar ndryshimet e adresës brenda një afati pesëmbëdhjetëditor, sigurisht për një periudhë tridhjetëvjeçare, nuk arrin në një seriozitet të tillë sa për t’u analizuar si një “dënim”.
46. Në dritën e tërë këtyre konsideratave, Gjykata vlerëson se regjistrimi në FIJAIS dhe detyrimi që rrjedh prej tij nuk përbëjnë një “dënim” në kuptimin e nenit 7 § 1 të Konventës dhe duhet të analizohen si një masë parandaluese ku nuk mund të gjejë zbatim parimi i mosprapaveprimit që përmendet në këtë dispozitë.
47. Prandaj, është e udhës të rrëzohet kërkesa e bërë duke iu referuar nenit 7 të Konventës, si e papajtueshme ratione materiae me dispozitat e Konventës, në zbatim të nenit 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës.
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 8 TË KONVENTËS
48. Ankesa e nxjerrë duke iu referuar nenit 7 të Konventës është bërë edhe objekt i pyetjeve të shtruara nga Gjykata lidhur me nenin 8 të Konventës. Kjo dispozitë, në pjesët e saj që kanë lidhje me çështjen, shprehet kështu:
“1. Çdo person ka të drejtë që t’i respektohet jeta e tij private (...).
2. Autoriteti publik mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte vetëm në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur, në një shoqëri demokratike, kjo masë është e domosdoshme për sigurimin kombëtar, për sigurimin publik, për mirëqenien ekonomike të vendit, për mbrojtjen e rendit ose për parandalimin e veprave penale, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.
A. Tezat e palëve
49. Qeveria thekson në radhë të parë se paditësi, në kërkesëpadinë e tij fillestare, nuk e ka parashtruar shprehimisht ankesën e nxjerrë nga shkelja e nenit 8 të Konventës. Nëse Gjykata dëshiron ta shqyrtojë këtë procedurë me kutin e nenit 8 të Konventës, Qeveria ka mendimin se autoritetet franceze nuk është se nuk e kanë pasur parasysh atë tekst.
50. Qeveria thekson gjithashtu se detyrimi që rrjedh për paditësin nga regjistrimi i tij në FIJAIS nuk mund të analizohet si një ndërhyrje në jetën e tij private e familjare, sepse ai kufizohet me kërkesat e parashikuara në nenin 706-53-5 të KPP (paragrafi 18 i mësipërm).
51. Ajo mbron mendimin se masa që gjykohet e ka me të vërtetë një bazë ligjore, ligjin e 9 marsit 2004, i cili i parashikon pasojat e regjistrimin në FIJAIS për personat në fjalë. Ajo ka për qëllim mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e veprave penale, sidomos ndaj të miturve (neni 706-53-1 i KPP).
52. Së fundi, Qeveria propozon të vihen në balancë interesi i shoqërisë për të parandaluar veprat penale seksuale dhe serioziteti i cenimit të së drejtës së paditësit për respektimin e jetës së tij private. Sipas saj, krijimi i FIJAIS-it përfshihet në kuadër të vendosjes hap pas hapi të një regjimi juridik të posaçëm për veprat penale me natyrë seksuale, i cili e gjen përligjjen e vet në ndërgjegjësimin relativisht të vonë për specifikën e këtyre veprave. Kjo rrjedh, nga njëra anë, prej faktit se autorët e tyre janë shpesh të prekur nga çrregullime të personalitetit, një faktor real për përsëritje të veprës penale, kurse nga ana tjetër, nga vuajtja e veçantë që këto vepra u shkaktojnë viktimave, sidomos kur këto janë në moshë të mitur në çastin e fakteve. Kështu, autoritetet kombëtare i kanë vënë në zbatim masat shtypëse bashkërisht me masat parandaluese. Krijimi i FIJAIS-it, në këtë kontekst, kishte për qëllim të plotësonte boshllëqet e mekanizmit parandalues në rastet veçanërisht të rënda të veprave penale seksuale. Qeveria shton se, nga jurisprudenca e Gjykatës, del që kjo nuk e kundërshton të drejtën e shteteve që, për të parandaluar veprat penale, të grumbullojnë e të ruajnë nëpër skedarë të dhëna rreth personave, me kusht që të ekzistojnë “garanci të përshtatshme e të mjaftueshme kundër shpërdorimeve” (Leander k. Suedisë, 26 mars 1987, § 60, seria A nr. 116).
53. Në rastin e çështjes në fjalë, paditësi i paska pasur të gjitha garancitë që jep ligji. Ai është informuar për regjistrimin e tij nga autoriteti gjyqësor, meqë kontrolli i skedarit i është besuar një magjistrati. Fjala është vetëm për autorët e veprave penale seksuale të rënda që përmenden në nenin 706-47 të Kodit të cituar më lart dhe janë vetëm këto të fundit që e lejojnë një regjistrim automatik.
54. Për sa u përket garancive të tjera të parashikuara nga ligji, Qeveria rikujton se koha e ruajtjes së informacioneve varet nga serioziteti i veprave penale për të cilat bëhet fjalë : njëzet ose tridhjetë vjet. Ky është një afat maksimal dhe personat në fjalë mund të kërkojnë fshirjen e të dhënave që kanë të bëjnë me ta nga FIJAIS. Kjo kërkesë mund t’u paraqitet tre autoriteteve: prokurorit të Republikës, gjyqtarit të lirive dhe të ndalimit dhe kryetarit të dhomës së hetimit. Kjo mundësi e trefishtë përbën, sipas Qeverisë, një garanci të trefishtë. Në rastin e çështjes në fjalë, shënimi i dënimit të paditësit në kartelën gjyqësore e bën të papranueshme një kërkesë për fshirje regjistrimi në FIJAIS. Megjithatë, paditësi ka prapëseprapë mundësinë për të kërkuar rehabilitimin gjyqësor, i cili e zhduk dënimin nga kartela gjyqësore. Madje, FIJAIS-i i ka dyert hapur vetë për disa autoritete, me një detyrim për ruajtje të fshehtësisë dhe në rrethana të përcaktuara me saktësi. Së fundi, mes FIJAIS-it dhe skedarëve të tjerë nuk mund të bëhet asnjë krahasim.
55. Qeveria nxjerr përfundimin se garancitë rreth regjistrimit në FIJAIS janë të tilla që e bëjnë atë të jetë një ndërhyrje e domosdoshme në një shoqëri demokratike në kuptimin e nenit 8 § 2 të Konventës.
56. Paditësi është i mendimit se informacionet që përmban skedari nuk duhet të bëhen publike dhe se detyrimet që ngarkon teksti nuk janë minimale, por ia kufizojnë të dënuarit lirinë e lëvizjes.
B. Vlerësimi i Gjykatës
57. Është e udhës të rikujtohet se, si e plotfuqishme për cilësimin juridik të fakteve të çështjes, Gjykata nuk është e kushtëzuar nga ai që u japin atyre paditësit apo qeveritë. Në bazë të parimit jura novit curia, ajo mund ta studiojë me nismën e saj një ankesë nën këndvështrimin e një neni ose të një paragrafi të cilit nuk kanë qenë referuar palët në proces. Me fjalë të tjera, një ankesë karakterizohet me faktet që ajo denoncon dhe jo thjesht me mjetet ose argumentet juridike të cilave ajo u referohet (Guerra me të tjerë k. Italisë, 19 shkurt 1998, § 44, Recueil des arrêts et décisions 1998-I, dhe Berktay k. Turqisë, nr. 22493/93, § 168, 1 mars 2001). Pra, pretendimi i Qeverisë për papranueshmëri duhet rrëzuar.
Gjykata vë re se ky ankim nuk është haptazi i paarsyetuar në kuptimin e nenit 35 § 3 të Konventës. Madje ajo vë në dukje se ai nuk ndeshet me asnjë arsye tjetër për papranueshmëri. Është e udhës pra që ai të deklarohet i pranueshëm.
58. Për çka mbetet, Gjykata vë në dukje se FIJAIS-i përmban të dhëna për jetën private të paditësit. Ky skedar varet nga Ministria e Drejtësisë dhe është i vendosur nën kontrollin e magjistratit që drejton kartotekën gjyqësore. Gjykata thekson se nuk i takon asaj, në këtë stad, të spekulojë rreth karakterit delikat ose jo të elementeve të grumbulluara, as rreth pasojave negative që kanë rënduar mbi paditësin. Sipas jurisprudencës së saj, regjistrimi i të dhënave rreth jetës private të një individi nga një autoritet publik përbën ndërhyrje në kuptimin e nenit 8. Përdorimi i mëtejshëm i informacioneve të regjistruara ka pak rëndësi (shih, mutatis mutandis, Leander, të cituar më lart, § 48, dhe Kopp k. Zvicrës, 25 mars 1998, § 53, Recueil 1998-II). Më konkretisht, është gjykuar tashmë se detyrimi – për personat që janë dënuar për një vepër penale seksuale – për t’i treguar policisë emrin, datëlindjen, adresën ose ndryshimin e adresës së tyre i përket nenit 8 § 1 të Konventës (Adamson, i cituar më lart).
59. Gjykata vëren se palët nuk e kundërshtojnë se ndërhyrja objekt gjykimi ka qenë e parashikuar me ligj dhe se ajo synonte qëllimet e drejta të mbrojtjes së rendit dhe të parandalimit të veprave penale (po aty). Asaj i duhet pra ta shqyrtojë domosdoshmërinë e kësaj ndërhyrjeje në vështrim të kërkesave të Konventës.
60. Para se Gjykata të bëjë vlerësimin e saj në instancë të fundit, u takon autoriteteve kombëtare, në radhë të parë, që të thonë se ku ndodhet baraspesha e drejtë që duhet gjetur në një rast të caktuar dhe, në këtë kuadër, njëfarë hapësire vlerësimi u lihet si parim vetë shteteve. Shtrirja e kësaj hapësire është e ndryshme dhe varet nga një numër elementesh, kryesisht nga natyra e veprimtarive që diskutohen dhe nga qëllimet e kufizimeve (Smith e Grady k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 33985/96 dhe 33986/96, § 88, GjEDNj 1999-VI).
61. Për këtë arsye, kur vihet në lojë një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i jetës ose i identitetit të një individi, hapësira e vlerësimit që i lihet shtetit është përgjithësisht e kufizuar.
62. Mbrojtja e të dhënave me karakter personal luan një rol thelbësor për ushtrimin e së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare, të sanksionuar nga neni 8 i Konventës. Legjislacioni i brendshëm duhet pra të japë garanci të përshtatshme, për të penguar çdolloj përdorimi të dhënash me karakter personal që nuk do të ishte në përputhje me garancitë e parashikuara nga ky nen (shih, mutatis mutandis, Z k. Finlandës, 25 shkurt 1997, § 95, Recueil 1997-I). Sipas shembullit të asaj që Gjykata ka thënë në vendimin S. e Marper k. Mbretërisë së Bashkuar ([DhM], nr. 30562/04 e 30566/04, § 103), ajo është e mendimit se domosdoshmëria për të pasur garanci të tilla bëhet edhe më e ndjeshme kur është fjala për të mbrojtur të dhënat me karakter personal që i nënshtrohen një përpunimi automatik, sidomos kur këto të dhëna përdoren për qëllime policore. E drejta e brendshme duhet sidomos të japë siguri që këto të dhëna janë të sakta dhe jo të tepruara në krahasim me qëllimet për të cilat ato janë regjistruar dhe që ato ruhen në një trajtë që e lejon identifikimin e personave për të cilët bëhet fjalë për një periudhë kohe që nuk e kapërcen atë të nevojshme për qëllimet për të cilat ato janë regjistruar (shih paragrafët 27 e 28 të mësipërm, sidomos hyrjen dhe nenin 5 të Konventës për Mbrojtjen e të Dhënave dhe parimin 7 të Rekomandimit R (87) 15 të Komitetit të Ministrave, i cili synon të caktojë rregullat e përdorimit të së dhënave me karakter personal në sektorin e policisë). E drejta e brendshme duhet të përmbajë edhe ajo garanci të tilla që t’i mbrojnë me efektshmëri të dhënat me karakter personal të regjistruara kundër përdorimeve të papërshtatshme dhe abuzive.
63. Gjykata nuk mund t’i vërë në dyshim qëllimet parandaluese të një skedari si ai ku është regjistruar paditësi, i dënuar me pesëmbëdhjetë vjet burgim për kryerje marrëdhëniesh seksuale mbi një të mitur. Qëllimi i këtij skedari, siç e ka rikujtuar ajo tashmë, synon të parandalojë veprat penale dhe të luftojë sidomos kundër përsëritjes së tyre e, në një rast të tillë, të lehtësojë identifikimin e autorëve të tyre. Dhuna seksuale përbën në mënyrë të pamohueshme një lloj të urryer krimi që i brishtëson viktimat. Fëmijët dhe personat e tjerë të lëndueshëm kanë të drejtë për t’u marrë në mbrojtje nga shteti, në formën e një parandalimi të efektshëm që i ruan ata nga trajta aq të rënda ndërhyrjeje në disa aspekte thelbësore të jetës së tyre private (Stubbings me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, 22 tetor 1996, § 64, Recueil 1996-IV).
64. Në të njëjtën kohë, politikat penale në Evropë përparojnë dhe, krahas shtypjes, i kushtojnë një rëndësi në rritje synimit që mbajtja në burg, sidomos afër përfundimit të një dënimi të gjatë, ta ndihmojë riintegrimin në shoqëri (Dickson k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 44362/04, § 75, GjEDNj 2007-V). Një riintegrim i suksesshëm nënkupton veçanërisht parandalimin e përsëritjes së veprës penale (shih raportin e Komisarit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, të cituar në vendimin Léger k. Francës, nr. 19324/02, § 49).
65. Në rastin e çështjes në fjalë, paditësi është regjistruar automatikisht në skedar sipas të dispozitave kalimtare të ligjit të vitit 2004 dhe duke marrë parasysh krimin për të cilin ai është dënuar me një vendim të formës së prerë. Ky regjistrim i është njoftuar atij në mënyrën e duhur dhe ai ka marrë dijeni për detyrimet që i janë ngarkuar.
66. Për sa i takon detyrimeve të tij për të paraqitur prova për adresën e vet çdo gjashtë muaj si dhe për çdo ndryshim adrese, për të mos u dënuar me burgim e me gjobë, Gjykata e ka gjykuar tashmë se kjo nuk përbën shqetësim në vështrim të nenit 8 të Konventës (Adamson, i cituar më lart).
67. Sa për afatin e ruajtjes së informacioneve, Gjykata vë re se ai është njëzet ose tridhjetë vjet, sipas rëndësisë së dënimit të kryer.
68. Siç e vë në dukje Qeveria, fjala është për një afat maksimal. Sado që ky është i gjatë në rastin e çështjes në fjalë, përderisa është tridhjetë vjeçar, Gjykata vëren se fshirja e të dhënave bëhet automatikisht sipas ligjit sapo kalon ky afat, i cili llogaritet nga çasti kur vendimi që ka sjellë si pasojë regjistrimin i pushon të gjitha efektet e tij. Gjykata vëren gjithashtu se personi për të cilin bëhet fjalë mund t’i paraqesë një kërkesë për fshirje prokurorit të Republikës, në qoftë se ruajtja e të dhënave që kanë të bëjnë me të nuk duket më me rëndësi duke pasur parasysh qëllimet e skedarit, natyrën e veprës penale, moshën e personit në çastin kur e ka kryer atë, kohën që ka kaluar që atëherë dhe personalitetin e tij të tanishëm (paragrafi 18 i mësipërm, neni 706‑53-10 i KPP). Ndaj vendimit të prokurorit mund të bëhet rekurs pranë gjyqtarit të lirive dhe të ndalimit, pastaj pranë kryetarit të dhomës së hetimit.
69. Gjykata është e mendimit se kjo procedurë gjyqësore për fshirjen e të dhënave siguron një kontroll të pavarur të përligjjes së ruajtjes së informacioneve mbi bazën e disa kritereve të përpikta (S. e Marper, i cituar më lart, § 119) dhe paraqet garanci të mjaftueshme e të përshtatshme për respektimin e jetës private në krahasim me seriozitetin e veprave penale që e kanë përligjur regjistrimin në skedar. Sigurisht, ruajtja e të dhënave për një periudhë kaq të gjatë mund të përbëjë një shqetësim në vështrim të nenit 8 të Konventës, por Gjykata vë re se paditësi do ta ketë, gjithsesi, mundësinë konkrete për të paraqitur një kërkesë për fshirjen e të dhënave të ruajtura, që nga dita kur vendimi që ka sjellë si pasojë regjistrimin e tyre do të pushojë së pasuri të gjitha efektet e tij. Në këto kushte, Gjykata është e mendimit se afati i ruajtjes së të dhënave nuk është në shpërpjesëtim me qëllimin e ndjekur nga regjistrimi i informacioneve.
70. Për sa i përket modaliteteve të përdorimit të së dhënave dhe rrethit të autoriteteve publike të cilave u lejohet të hyjnë në këtë skedar, Gjykata vë re se ai është zgjeruar disa herë dhe se nuk kufizohet më vetëm me autoritetet gjyqësore e policore, por se aty mund të futen tashmë edhe disa organe administrative (neni 706-53-7 i KPP, paragrafi 18 i mësipërm). Megjithatë, duhet vënë re se konsultimi është i mundshëm vetëm për disa autoritete që kanë një detyrim për të ruajtur fshehtësinë dhe në rrethana të përcaktuara me saktësi. Për më tepër, rasti në fjalë nuk është i përshtatshëm për një shqyrtim in concreto të çështjes së zgjerimit të mundësisë së konsultimit të skedarit për qëllime administrative.
71. Si përfundim, Gjykata vlerëson se regjistrimi në FIJAIS, ashtu siç është zbatuar ndaj paditësit të çështjes në fjalë, tregon një baraspeshë të drejtë ndërmjet interesave private dhe publike që vihen në lojë dhe se shteti i paditur nuk e ka tejkaluar atë hapësirë të tij për vlerësim, që është e pranueshme në këtë fushë. Prandaj, në çështjen në fjalë, nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
III. RRETH SHKELJEVE TË TJERA TË PRETENDUARA
72. Duke iu referuar neneve 6, 13, 14 dhe 17 të Konventës, paditësi, i cili e ngre me të madhe se është i pafajshëm, ankohet për mënyrën se si është hetuar dosja e tij, për rrëzimin e kërkesave të tij për veprime e ekspertiza nga ana e gjyqtarit hetues, si edhe për rrëzimin e kërkesës së tij për rishikim nga ana e Komisionit për Rishikim të Dënimeve Penale. Në një letër të datës 3 nëntor 2005, ai denoncon edhe rrëzimin e kërkesës së tij për pezullim dënimi dhe pohon se gjendja e tij shëndetësore nuk pajtohet me mbajtjen e tij në burg. Së fundi, në një letër të datës 5 dhjetor 2005, paditësi i referohet nenit 3 të Konventës, duke pohuar se po i bëhet një torturë për faktin e mbajtjes së tij në burg.
73. Për sa u përket këtyre ankesave, duke pasur parasysh tërë elementet që i janë paraqitur dhe duke qenë kompetente për të shqyrtuar pretendimet e formuluara, Gjykata nuk ka zbuluar asnjë shfaqje shkeljeje të së drejtave dhe të lirive të garantuara nga dispozitat e përmendura. Ajo vlerëson për rrjedhojë se ato janë haptazi të pabazuara në kuptimin e nenit 35 § 3 të Konventës dhe duhet të rrëzohen në zbatim të nenit 35 § 4.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
1. E deklaron kërkesën të pranueshme për sa i përket ankesës së bërë duke iu referuar nenit 8 të Konventës dhe të papranueshme për pjesën tjetër;
2. Thotë se nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
I hartuar në frëngjisht, pastaj i njoftuar me shkrim më 17 dhjetor 2009, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores.
Claudia WesterdiekPeer Lorenzen
SekretareKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy