© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA GEBREMEDHIN [GABERAMADHIEN] k. FRANCËS
(Kërkesëpadi nr. 25389/05)
VENDIM
STRASBURG
26 prill 2007
I FORMËS SË PRERË
26/07/2007
Në çështjen Gebremedhin [Gaberamadhien] k. Francës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur në një dhomë të përbërë nga:
András Baka, kryetar,
Jean-Paul Costa,
Ireneu Cabral Barreto,
Antonella Mularoni,
Elisabet Fura-Sandström,
Danutė Jočienė,
Dragoljub Popović, gjyqtarë,
dhe nga Sally Dollé, sekretare seksioni,
Pasi e shqyrtoi çështjen në seancë të mbyllur më 16 janar 2007 e 27 mars 2007,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të çështjes ndodhet një kërkesëpadi (nr. 25389/05) e drejtuar kundër Republikës Franceze e me anë të së cilës një shtetas eritreas, Z. Asebeha Gebremedhin [Gaberamadhien] (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 14 korrik 2005 duke iu referuar nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”). Paditësi vë në dukje se, në trajtën e shkruar në disa dokumente të brendshme, “Gaberamadhien”, mbiemri i tij i përgjigjet transkriptimit fonetik që ka bërë policia franceze e ajrit dhe e kufijve; ai saktëson se deklaratat dhe dokumentet eritrease të hartuara në alfabet latin ruajnë nga ana e tyre trajtën “Gebremedhin”; ai shton se, sipas shembullit të shumë gazetarëve eritreas, ai përdorte një “pseudonim pune”, “Yayneabeba” (“Lulja e syrit”).
2. Paditësi, i cili ka përfituar ndihmë gjyqësore, përfaqësohet nga Z. J.-E. Malabre, avokat në Limozhë. Qeveria franceze (“Qeveria”) përfaqësohet nga agjentja e saj, Znja E. Belliard, drejtore e Çështjeve Juridike në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
3. Kryetari i dhomës së cilës i ishte caktuar fillimisht kjo çështje, pastaj dhoma kanë vendosur të zbatojnë nenin 39 të Rregullores, duke i treguar Qeverisë se e mira në interesin e palëve dhe të mirëvajtjes së procedurës përpara Gjykatës ishte që paditësi të mos rikthehej në drejtim të Eritresë.
4. Me një vendim të 10 tetorit 2006, dhoma e deklaroi kërkesëpadinë pjesërisht të pranueshme.
5. Si paditësi, ashtu edhe Qeveria kanë depozituar vërejtje plotësuese me shkrim (neni 59 § 1 i Rregullores). Vërejtje ishin marrë gjithashtu edhe nga Shoqata Kombëtare e Ndihmës në Kufi për të Huajt, të cilën kryetari e kishte autorizuar të ndërhyjë në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 2 i Rregullores); palët u ishin përgjigjur këtyre komenteve (neni 44 § 5 i Rregullores).
6. Një seancë është zhvilluar publikisht në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 16 janar 2007 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
Znja E. Belliard, drejtore e Çështjeve Juridike në
Ministrinë e Punëve të Jashtme,Përfaqësuese,
A.-F. Tissier, nëndrejtore për të drejtat e njeriut
në Drejtorinë e Çështjeve Juridike në
Ministrinë e Punëve të Jashtme,
M. Ziss, referente në Nëndrejtorinë për të Drejtat
e Njeriut në Drejtorinë e Çështjeve Juridike
në Ministrinë e Punëve të Jashtme,
Z. Mouton, zëvendëskryetar i Degës së Çështjeve
Juridike e Ndërkombëtare të OFPRA-së,
ZnjaF. Doublet, shefe e Zyrës të së Drejtës Evropiane,
Ndërkombëtare e Kushtetuese pranë Nëndrejtorisë
për Këshillim Juridik e Mosmarrëveshje në Drejtorinë
e Lirive Publike dhe Çështjeve Juridike
të Ministrisë së Brendshme,
Z. J.-M. Ribes, Drejtoria Qendrore e Policisë së Ajrit
dhe të Kufijve në Ministrinë e Brendshme,
Z. M. Caussard, Seksioni i Mosmarrëveshjeve
i Këshillit të Shtetit, këshilltarë,
– për paditësin
Z.J.-E. Malabre, avokat,këshilltar.
Paditësi ishte gjithashtu i pranishëm.
Gjykata i dëgjoi Z. Malabre dhe Znjën Belliard në deklaratat e tyre si edhe në përgjigjet që dhanë për pyetje të bëra nga disa prej gjyqtarëve.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
7. Paditësi ka lindur më 1979; ai ndodhet aktualisht i strehuar në Paris nga një organizatë joqeveritare.
8. Më 1998, si shumë persona të tjerë, paditësi dhe familja e tij u zhvendosën nga Etiopia në Eritre. Ai punoi atje si reporter-fotograf, kryesisht për gazetën e pavarur Keste Debena, kryeredaktor i së cilës ishte Milkias Mihretab. Paditësi tregon se ky i fundit njihet si një mbrojtës i shtypit të lirë në Eritre dhe se raporti i Amnesty International për vitin 2002 e paraqet rastin e tij, duke nënvizuar veçanërisht arrestimet dhe burgimet arbitrare që ai ka pësuar në këtë vend për arsye të veprimtarive të tij si gazetar. Paditësi shton se, më 27 qershor 2002, seksioni britanik i Amnesty International i ka dhënë Z. Milkias Mihretab “Çmimin e Posaçëm për Ushtrimin e Gazetarisë për të Drejtat e Njeriut nën Kërcënim”.
Paditësi dhe Z. Milkias Mihretab u arrestuan më 2000, me sa duket për arsye të veprimtarisë së tyre si gazetarë, dhe u burgosën në burgun e Zarës përkatësisht për tetë dhe gjashtë muaj.
Paditësi tregon lidhur me këtë se ai përmendet – nën emrin “Yebio”, shkurtim i pseudonimit të tij Yayneabeba” – në një sajt interneti që i kushtohet reformës në Eritre (), si një nga gjashtë gazetarët e arrestuar më 14 tetor 2000 njëkohësisht me Milkias Mihretabin.
9. Ndryshe nga Z. Milkias Mihretab që u arratis në Sudan në shtator 2001, paditësi ka qëndruar në Eritre, në Azmarë, për t’u kujdesur për të ëmën, të mbetur e ve, si edhe për katër vëllezërit e motrat e tij. Disa kohë pas largimit të Z. Milkias Mihretab – në një datë të cilën ai nuk e saktëson – policia e ka marrë në pyetje rreth këtij të fundit; ajo i ka bastisur shtëpinë dhe ka gjetur aty disa fotografi të cilat i ka gjykuar si komprometuese. Ai është arrestuar dhe i është nënshtruar keqtrajtimeve, gjurmët e të cilave thuhet se i ruan ende: djegie me cigare dhe pasoja në kurriz të shkaktuara nga pozicioni në të cilin është mbajtur për rreth njëzet ditë, barkas dhe me këmbët e duart lidhur mbi kurriz. Më tej, ai është burgosur për gjashtë muaj e pastaj, i sëmurë, është transferuar në një spital prej ku është arratisur duke paguar disa roje, me ndihmën e ca të afërmve të gjyshes së tij nga e ëma, të cilët punonin aty. Atëherë ai është fshehur te kjo e fundit, në Areza, ku e ka kuruar një mjek. Sapo është shëruar, është arratisur në Sudan ku jetonte një ungj i tij. Ai ka vendosur të largohet nga ky vend në çastin kur atje një eritreas është vrarë me plumb, meqenëse bashkësia eritrease në Sudan ishte e mendimit se ky akt ishte vepër agjentësh të qeverisë eritrease në ndjekje të kundërshtarëve.
10. Paditësi tregon se ai ka shkuar në Afrikën e Jugut dhe se, me ndihmën e një “vatori”, i pajisur me pasaportë sudaneze që nuk ishte në emrin e tij (por me emrin “Mohammed Eider” a diçka të përafërt), të cilën ky e paska ruajtur, ka mbërritur më 29 qershor 2005 rreth orës 5.30 në aeroportin e Parisit “Sharl dë Gol” në Ruasi, me një fluturim që vinte nga Johanesburgu. Ai thotë se është mbajtur aty në zonë ndërkombëtare deri më 1 korrik 2005, çka e paska penguar të dorëzojë një kërkesë për leje qëndrimi. Tetë orë pas mbërritjes së tij, ai qenka paraqitur në postën e policisë, duke treguar se ishte eritreas dhe se kërkonte strehim; polici i paska kërkuar “të pohojë prejardhjen e tij, duke i thënë se nuk ishte eritreas, por pakistanez [dhe i paskësh] refuzuar pra për herë të parë të drejtën për të dalë nga zona ndërkombëtare”. Për dy ditë me radhë (nga 29 qershori më 1 korrik), ai qenka paraqitur më kot rregullisht në postë, me shpresën për të gjetur një polic që të pranonte t’ia merrte parasysh këtë kërkesë. Ai saktëson se “vetëm më 1 korrik, një funksionar i ri policie, të cilin nuk e kishte takuar më parë, ia ka regjistruar më në fund kërkesën”.
Qeveria e përgënjeshtron këtë version faktesh. Ajo tregon se e ka verifikuar listën e pasagjerëve të fluturimeve me prejardhje nga Afrika e Jugut që kanë mbërritur në Ruasi më 29 e 30 qershor dhe më 1 korrik 2005 dhe se aty nuk ka asnjë gjurmë të ndonjë të quajturi Gebremedhin, Gaberamadhien apo Eider. Ajo i referohet procesverbalit të policisë së ajrit dhe kufijve të aeroportit të 1 korrikut 2005, që tregon se i interesuari është marrë në pyetje në orën 11 të asaj dite.
11. Më 1 korrik 2005, paditësi ka kërkuar të lejohet të hyjë në Francë si azilkërkues; ai është marrë në pyetje në orën 11 nga një oficer policie gjyqësore me ndihmën e një përkthyesi anglishtfolës; procesverbali kufizohet duke thënë se “i interesuari nuk sjell asnjë provë në mbështetje të deklarimeve të tij”. Mbajtja e të interesuarit në zonë pritjeje është vendosur nga autoriteti administrativ atë ditë dhe atë orë, për një afat prej dyzet e tetë orësh; më pas ky do të zgjatej (paragrafi 18 i mëposhtëm).
12. Paditësi tregon se ai është dëgjuar për herë të parë më 3 korrik 2005 nga një përfaqësues i Zyrës franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe të Personave Pa Atdhe (OFPRA), i cili paskësh dhënë një mendim të favorshëm për lejimin e hyrjes së tij në territor si azilkërkues. Qeveria ngul këmbë nga ana e saj se më 3 korrik nuk është vendosur kurrfarë mendimi: relacioni i kësaj bisede dhe propozimi për mendim që ishin hartuar nga ky përfaqësues nuk paskëshin qenë gjykuar si të kënaqshëm nga eprori hierarkik i ngarkuar me bërjen e tyre të vlefshëm, çka shpjeguaka se përse paditësi të jetë dëgjuar për herë të dytë nga eprori i lartpërmendur (i ndihmuar nga një përkthyes) më 5 korrik 2005; paska qenë ky i fundit që e ka formuluar mendimin e moslejimit me këto fjalë:
“Deklarime të marra në amharikisht me ndihmën e një përkthyesi të ISM-së
Arsyet e kërkesës? Prindërit e mi janë me prejardhje eritrease. Kishim shtetësinë etiopiane dhe jetonim në Adis-Abebë. Më 1998, autoritetet etiopiane thanë se nuk ishim etiopianë. U përzumë nga Etiopia në drejtim të Eritresë. Atë vit duhej të kaloja provimet e maturës, por në Eritre nuk munda ta bëj. Fillova të punoj në një ofiçinë automjetesh për 6 muaj, pastaj kreva shërbimin e detyrueshëm kombëtar. Gjatë shërbimit u njoha me një tip që ishte gazetar. Pasi mbarova shërbimin, punova me këtë mik gazetar si kameraman e fotograf dhe dilnim për reportazhe. Miku im pati ca telashe me autoritetet dhe vendosi të largohej nga vendi. Sapo u ktheva, autoritetet më morën në pyetje rreth mikut tim dhe më burgosën. Gjatë qëndrimit në burg, policët më bënë kontroll banese dhe gjetën dy fotografi që ata i quanin si komprometuese. Prej aty, filluan të më torturojnë me cigare. Qëndrova në burg për 6 muaj deri sa rashë i sëmurë, më zuri tuberkulozi. Ata më shpunë në spital, për fat, te spitali ku punonin ca të afërm të gjyshes sime nga nëna. Këta paguan nën dorë rojet, sollën veshje dhe më ndihmuan të arratisem. Shkova te gjyshja ime në Arezë, qëndrova atje 4 muaj për t’u kuruar, pastaj u largova fshehurazi për të shkuar në Sudan, në Hartum. Aty zura punë menjëherë si mekanik makinash, por kishte agjentë eritreas dhe një eritreas që punonte aty pranë u vra. Pata frikë dhe ika në Port Sudan ku punoja kalatave si hamall. Në Sudan qëndrova gjithsej dy vjet (8 muaj në Hartum, një vit në Port Sudan dhe dy muaj prapë në Hartum). Im ungj shiti automjetin e tij për të më paguar udhëtimin. Shkova në Afrikë të Jugut para se të vija në Francë. Rrjetin e vatorëve e kishte gjetur im ungj. Nuk e di si u organizuan.
Si quhet miku juaj dhe në çfarë rrethanash u njohët me të ? Quhet Milkias Mihretab, është një mik i familjes, i njihte prindërit e mi në Adis-Abebë. Kur u kthyem në Azmarë, unë kreva shërbimin e detyrueshëm për 18 muaj dhe pastaj isha rezervist e punoja në një ofiçinë ushtarake, por nuk mbaja më uniformë. Pikërisht atëherë e rregulloi ai miku im, duke u bërë dorëzanë, që unë të shkoja të punoja me të.
A mund të na citoni shembuj nga ngjarjet që keni mbuluar? Kemi mbuluar grevat e studentëve në Azmarë më 2002 (pa hollësi të tjera).
Cili ishte subjekti i dy fotografive “komprometuese” të gjetura në banesën tuaj? Nuk e di, nuk më kujtohet më.
Për cilën gazetë punonte miku juaj, Milkias Mihretab? Keste Debena (Ylberi). Çfarë funksioni kishte ai? Kryeredaktor.
A e dini të çfarë lloji ishin telashet e mikut tuaj me autoritetet? Në thelb, kishte dy arsye. Nga njëra anë, sepse miku im ishte për një kushtetutë dhe, nga ana tjetër, pati 13 ministra që u burgosën dhe miku im kishte botuar biografitë e tyre. Ata u burgosën menjëherë pas grevës së studentëve më 2002.
Në cilën datë u largua nga vendi miku juaj? Ishte në prill 2002, kur u arrestuan të gjithë gazetarët.
Ka të tjerë gazetarë të arrestuar? Të gjithë gazetarët eritreas janë në burg. A njihni gazetarë të tjerë të Keste Debena-së që kanë qenë objekt arrestimesh?... (Nuk përgjigjet). Po fotografë të tjerë?... (Nuk përgjigjet).
A mund të na jepni disa saktësime lidhur me arrestimin tuaj (datë, rrethana, vendi i mbajtjes në burg)? Jam arrestuar në tetor a nëntor 2002. Më shpunë në burgun e Meitamaneit, ku qëndrova 6 muaj.
Nuk u arrestuat “sapo u kthyet” në Azmarë? Jo, vazhdova të punoj për 6 muaj andej-këtej.
Po familja juaj? Im atë ka vdekur nga sëmundja para dëbimit të familjes. Nëna me dy vëllezërit e dy motrat jetojnë në Azmarë. Vëllezërit e motrat janë në shkollë.
Nga se keni frikë në rast kthimi? Kur u arrestova, ata donin kryesisht të dinin se nëpërmjet cilit rrjet ishte larguar miku im nga vendi. Mendoj se vazhdojnë të jenë në kërkim të kësaj informate.
Është ky identiteti juaj i vërtetë? Po, nuk kam tjetër, nuk kam pasur kurrë ndonjë tjetër.
Keni gjë për të shtuar? Jo.
Mendim i arsyetuar
Me shtetësi eritrease, Z. Gaberamadhien Asebeha deklaron të ketë punuar, si fotograf, me një mik të familjes, gazetar me profesion. Në prill 2002, ndërsa ishin për reportazh në kufirin sudanez, gazetari i lartpërmendur paska përfituar nga rasti për t’u larguar nga Eritreja. Pas kthimit në Azmarë, i interesuari paska vazhduar të punojë, për 6 muaj, para se të ndalohet nga autoritetet e vendit të tij. Ai qenka mbajtur në burgim për 6 muaj dhe qenka marrë rregullisht në pyetje rreth rrethanave të largimit të mikut e kolegut të tij gazetar. Pasi paska marrë një sëmundje të rëndë, ai qenka transferuar në një institucion spitalor nga ku ia paska dalë të arratiset, me ndihmën e disa anëtarëve të familjes së tij të punësuar po në atë institucion, dhe paska qëndruar, për 4 muaj me radhë, te gjyshja e tij, para se të largohet nga Eritreja për në Sudan, ku paska jetuar e punuar për rreth dy vjet.
Duke pasur parasysh, gjithsesi, se deklarimet e të interesuarit përmbajnë pasaktësi të shumta dhe citime të gabuara të cilat nuk lejojnë të dalësh në përfundimin se pohimet e tij i përgjigjen realitetit; se, në të vërtetë, sado që episodi i arrestimit të disa gazetarëve në Azmarë është një ngjarje shumë e njohur dhe gjerësisht e mbuluar prej medieve, deklarimet e të interesuarit nuk përkojnë aspak me rrjedhën e kësaj ngjarjeje; se gazetarët eritreas kanë qenë objekt arrestimi në shtator 2001 e jo në prill 2002; se i interesuari nuk i di fare arsyet që shpunë në mbylljen e gazetave dhe arrestimin e gazetarëve; se kryeredaktori i gazetës Keste Debena është larguar gjithashtu nga Eritreja në shtator 2001 (e se kështu ngjan e pamundur që ai të ketë mbuluar greva studentësh më 2002); se rrethanat e largimit të tij, në shoqërinë e një reporteri tjetër të së njëjtës gazetë, nuk përputhen as ato me thëniet e të interesuarit; se duket më së paku diçka befasuese që, me përjashtim të emrit të kryeredaktorit të gazetës Keste Debena, i interesuari të mos jetë në gjendje të japë emrin e asnjë gazete tjetër të ndaluar për t’u botuar apo të asnjë gazetari a fotografi tjetër të kapur nga qeveria eritrease në atë kohë; ashtu siç është tejet e çuditshme që i interesuari të mos mund të citojë, në mënyrë tejet të përciptë e të pasaktë, përveçse një ngjarje të vetme që ai paskësh mbuluar si fotograf; se këto mosdijeni janë të tilla që të bëjnë të dyshosh fort për vërtetësinë e veprimtarive të tij profesionale; se, ndonëse këto ngjarje janë përcjellë gjerësisht nga mediet në atë kohë, duket e çuditshme që identiteti i të interesuarit të mos figurojë askund, as midis bashkëpunëtorëve të gazetës Keste Debena, as midis personave të arrestuar; se tërë këto elemente të shtyjnë të mendosh që i interesuari përpiqet të përvetësojë një përvojë jetësore që nuk është e tija;
Zyra franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe të Personave Pa Atdhe vlerëson se kërkesa për hyrje në territorin francez, e paraqitur në cilësinë e azilkërkuesit nga Z. Gaberamadhien Asebeha, mund të konsiderohet si haptazi e pathemeltë, dhe priret të formulojë një
MENDIM PËR MOSPRANIM”
13. Më 6 korrik 2005, Ministria e Brendshme e gjykoi si “haptazi të pathemeltë” kërkesën që paditësi ka formuluar për të hyrë në territorin francez në cilësinë e azilkërkuesit dhe, për pasojë, ia hodhi poshtë e vendosi ta kthejë atë “drejt territorit të Eritresë ose, në rast nevoje, drejt cilitdo vendi ku ai do të jetë ligjërisht i pranueshëm” (paditësi saktëson se 93% të kërkesave për lejim të paraqitura në aeroport hidhen poshtë në këtë mënyrë). Ky vendim është hartuar si më poshtë vijon:
“(...)
Duke pasur parasysh Konventën e Gjenevës të 28 korrikut 1951 rreth statusit të refugjatëve;
Duke pasur parasysh Kodin e Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim, sidomos nenet L.221-1 e L.213-4 të tij;
Duke pasur parasysh Dekretin nr. 82-442 të 27 majit 1982, të ndryshuar, të nxjerrë për zbatimin e nenit 5 të Urdhëresës së 2 nëntorit 1945, të ndryshuar, lidhur me lejimin në territorin francez, e sidomos nenin 12 të tij;
Duke pasur parasysh kërkesën për hyrje në Francë për qëllim strehimi të paraqitur në aeroportin e Ruasisë më 01/07/2005 nga X... i vetëquajtur Z. GABERAMADHIEN ASEBAHA ose ASEBEHA, i lindur më 15/03/1979, i vetëquajtur me shtetësi eritrease;
Duke pasur parasysh procesverbalin e hartuar nga shërbimet e policisë kufitare më 01/07/2005;
Zyra franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe të Personave Pa Atdhe, e pyetur më 05/07/2005;
Duke marrë parasysh se X... i vetëquajtur Z. GABERAMADHIEN ASEBAHA ose ASEBEHA me shtetësi eritrease deklaron se gjatë shërbimit të tij ushtarak qenka njohur me një gazetar, kryeredaktor të gazetës Keste Debena (Ylberi), për të cilin paska punuar pas ushtrie si kameraman e fotograf; se ky i fundit paska pasur telashe me autoritetet ngaqë ishte në favor të kushtetutës dhe kishte botuar biografitë e trembëdhjetë ministrave të burgosur pas grevave të studentëve më 2002; se miku i tij gazetar qenka larguar nga vendi në prill 2002, pasi kishin bërë së bashku një reportazh në kufirin sudanez; se ky vetë qenka kthyer në Azmarë ku paska vazhduar të punojë; se pas gjashtë muajsh, në tetor a nëntor 2002, autoritetet e paskan marrë në pyetje rreth rrethanave të largimit të mikut e kolegut të tij gazetar; se policët paskan gjetur në banesën e tij dy fotografi komprometuese; se qenka torturuar; se qenka mbajtur në burg për gjashtë muaj e pastaj qenka sëmurë e qenka shtruar në spitalin ku punonin disa të afërm nga gjyshja e tij; se qenka arratisur duke paguar nën dorë rojet; se paska shkuar në Arezë ku paska qëndruar katër muaj para se të ikte në Sudan, ku paska jetuar e punuar për dy vjet;
Duke marrë parasysh megjithatë se deklarimet e të interesuarit përmbajnë shumë mospërputhje që i bëjnë të pabesueshme pohimet e tij: në të vërtetë, rrëfimi i tij nuk përkon me mënyrën se si është shtjelluar çështja që ai përmend, pra episodi i arrestimit të disa gazetarëve në Azmarë, një ngjarje mjaft e njohur dhe e përcjellë gjerësisht prej medieve; se, kështu, gazetarët eritreas janë bërë objekt arrestimi në shtator 2001 e jo në prill 2002; se, veç kësaj, ai nuk ka kurrfarë dijenie rreth arsyeve që sollën mbylljen e gazetave dhe arrestimin e gazetarëve; se, për më tepër, kryeredaktori i gazetës Keste Debena është larguar nga Eritreja në shtator 2001 dhe nuk ka mundur pra t’i mbulojë grevat studentore të vitit 2002, siç pohon ky; se rrethanat e largimit të tij në shoqërinë e një reporteri tjetër të së njëjtës gazetë nuk përputhen as ato me thëniet e tij; se, për më tepër, veprimtaritë e tij profesionale nuk përcaktohen dot: në fakt, është mjaft befasuese që ai të mos jetë në gjendje të përmendë me emër asnjë gazetë tjetër të ndaluar për t’u botuar apo asnjë gazetar a fotograf tjetër të kapur nga qeveria eritrease e asaj kohe; po ashtu është mjaft e habitshme që ai të mos mundë të përmendë, në mënyrë të përciptë e të pasaktë, veçse një ngjarje të vetme që paska mbuluar si fotograf; se, së fundi, identiteti i tij nuk figuron askund, as midis bashkëpunëtorëve të gazetës Keste Debena, as midis personave të arrestuar, ndërkohë që këto ngjarje janë përcjellë gjerësisht prej medieve në atë kohë; se tërësia e këtyre elemente është e tillë që bën të mos i zihet besë sinqeritetit dhe themelësisë së kërkesës së tij;
Se, për pasojë, kërkesa për të hyrë në territorin francez e formuluar në cilësinë e azilkërkuesit nga X... i vetëquajtur Z. GABERAMADHIEN ASEBAHA ose ASEBEHA duhet vështruar si haptazi e pathemeltë;
Duke marrë parasysh se është me vend që, në zbatim të nenit L. 213-4 të Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim, të urdhërohet rikthimi i tij drejt territorit të Eritresë ose, në rast nevoje, drejt cilitdo vendi ku ai do të jetë ligjërisht i pranueshëm (...)”
14. Më 7 korrik 2005, paditësi iu drejtua për gjykim të shkurtuar Gjykatës Administrative të Serzhi-Pontuazës, në bazë të nenit L. 521-2 të Kodit të Drejtësisë Administrative, me një kërkesë që t’i jepej urdhër ministrit të Brendshëm që ta lejonte atë të hynte në territor për të paraqitur një kërkesë për azil. Ai parashtronte se ky moslejim hyrjeje i sillte një dëm të rëndë e haptazi të paligjshëm të drejtës për strehim – e cila ka karakterin e një lirie themelore dhe parakupton natyrshëm të drejtën për të kërkuar statusin e refugjatit, çka sjell si pasojë një të drejtë qëndrimi të përkohshëm brenda territorit – si edhe të drejtës për jetën dhe asaj për të mos iu nënshtruar trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese në kuptimin e nenit 3 të Konventës; lidhur me këtë, ai mbronte sidomos idenë se Ministria jo vetëm që nuk e kishte përfillur cakun e kompetencës së saj duke e shqyrtuar në thelb kërkesën e tij për strehim, por kishte bërë edhe një gabim vlerësimi duke e gjykuar këtë kërkesë si haptazi të pathemeltë dhe theksonte veçanërisht se, si kameraman e fotograf që kishte punuar për një gazetar, ai ishte përndjekur në vendin nga kishte prejardhjen, ku ishte burgosur dy herë e u ishte nënshtruar keqtrajtimeve, dhe ishte strehuar në Sudan, por ishte larguar nga ky vend ku i kërcënohej jeta.
Paditësi paraqiti para gjyqtarit të ngarkuar me çështjet e ngutshme (“juge des référés”) vërtetimin e mëposhtëm të lëshuar po atë ditë nga organizata joqeveritare “Reporterë Pa Kufij”:
“(...) Reporterë Pa Kufij, organizatë ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shtypit, dëshiron të sjellë në vëmendjen tuaj rastin e Gaberamadhien Asebaha, gazetar me shtetësi eritrease.
Në saje të punës së korrespondentëve tanë të përhershëm, ne jemi në gjendje t’i pohojmë si të vërteta veprimtaritë e Z. Gaberamadhien si gazetar fotograf. Ne jemi lidhur me gazetarin eritreas Mihretab Yohannes Milkias, sot i mërguar në Shtetet e Bashkuara, i cili na e ka pohuar bashkëpunimin e vet me Z. Gaberamadhien. Z. Mihretab na ka pohuar se ata kanë qenë të burgosur në të njëjtën kohë në burgun e Zarës, një nga më të ashprit e atij vendi e në kushte shumë të mundimshme.
E ndërgjegjshme për afatet që nevojiten për hetimin e kësaj çështjeje dhe për të kryer verifikimet e domosdoshme, dua megjithatë të nënvizoj se Reporterë Pa Kufij e mbështet kërkesën për strehim politik të Z. Gaberamadhien. Do të dëshironim të mund të takohemi me të, në mënyrë që ta studiojmë më mirë dosjen e tij dhe të sjellim të gjitha provat e nevojshme për këtë kërkesë. Do t’ju ishim tejet mirënjohës që të pranoni ta lejoni në territorin tonë (...)”.
Ai paraqiti për veç kësaj edhe dy mesazhe elektronike të Z. Mihretab Milkias, të hartuara në anglisht, të cilat mbajnë gjithashtu datën 7 korrik 2005 dhe u drejtohen Reporterëve Pa Kufij (Z. Mihretab Milkias i dërgoi një mesazh të tretë elektronik, të ngjashëm me të mëparshmit, avokatit të paditësit, më 11 korrik 2005), ku ky i fundit pohon se njihet prej shumë kohësh me Asebeha Gebremedhin dhe (si ka parë një fotografi) deklaron se e njeh atë te personi i paditësit dhe se bëhet fjalë për një gazetar e një veprimtar disident (dissident activist), se ai ka punuar si fotograf në profesion të lirë për gazetën Keste Debena dhe se kanë qenë të burgosur së bashku për disa muaj në burgun e Zarës. Z. Mihretab Milkias parashtron përveç kësaj se paditësi ka vuajtur shumë e ka duruar sprova të shumta për arsye të veprimtarisë së tij në përpjekje për ndryshime demokratike dhe të bashkëpunimit të tij me shtypin e pavarur dhe se, duke marrë parasysh situatën e tanishme në Eritre dhe faktin se paditësi, ish-i burgosur i burgut të Zarës, është i njohur për autoritetet, ai do të arrestohej atje pa asnjë dyshim, se jeta e tij do të ishte në rrezik dhe se do të rrezikonte së paku të torturohej e të “zhdukej” si shumë gazetarë, disidentë e aktivistë të tjerë.
15. Më 8 korrik 2005, pa mbajtur seancë e pa ballafaqime, gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme i Gjykatës Administrative të Serzhi-Pontuazës e rrëzoi kërkesën e paditësit me një urdhëresë që shprehet kështu:
“(...)
Duke pasur parasysh, nga njëra anë, se sipas nenit L. 521-2 të Kodit të Drejtësisë Administrative: “Kur i drejtohet një kërkesë të tillë që përligjet si e ngutshme, gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme mund të urdhërojë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e një lirie themelore së cilës mund t’i jetë shkaktuar një cenim të rëndë e haptazi të paligjshëm nga një person moral i së drejtës publike apo një organizëm i së drejtës private i ngarkuar me administrimin e një shërbimi publik, gjatë ushtrimit të njërit prej pushteteve të tij. Gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme shprehet brenda një afati prej dyzet e tetë orësh”; se sipas nenit L. 522-1 të të njëjtit kod: “Gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme merr vendim pas një procedure ballafaquese të shkruar ose gojore. Kur atij i kërkohet të shpallë masat e përfshira në nenet L. 521-1 e L. 521-2, t’i ndryshojë ato ose t’u japë atyre fund, ai i njofton menjëherë palët për datën dhe orën e seancës publike (...)”; se së fundi, sipas nenit L. 522-3 të kodit të sipërpërmendur: “Kur kërkesa nuk paraqet ndonjë karakter të ngutshëm apo kur duket hapur, me pamje të kërkesës, se kjo e fundit nuk i takon kompetencës së juridiksionit administrativ, se ajo është e papranueshme apo është e bazuar gabim, gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme mund ta rrëzojë me një urdhëresë të arsyetuar, pa qenë e nevojshme të zbatohen dy paragrafët e parë të nenit L. 522-1”;
Duke pasur parasysh, nga ana tjetër, se sipas nenit L. 221-1 të Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim: “I huaji që mbërrin në Francë në rrugë (...) ajrore e që ose nuk autorizohet të futet në territorin francez, ose kërkon lejimin e tij si azilkërkues, mund të mbahet në një zonë pritjeje që ndodhet në (...) një aeroport gjatë kohës ngushtësisht të domosdoshme për largimin e tij e, në rast se është azilkërkues, për një shqyrtim që synon të përcaktojë nëse kërkesa e tij nuk është haptazi e pathemeltë (...)”; se sipas nenit 12 të Dekretit të 27 majit 1982 të ndryshuar: “Kur i huaji që paraqitet në kufi kërkon të përfitojë të drejtë strehimi, vendimi i moslejimit për të hyrë në Francë mund të merret vetëm nga ministri i Brendshëm, pas këshillimit me Zyrën franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe të Personave Pa Atdhe”;
Duke pasur parasysh se, nga aktet e dosjes, del që Z. GABERAMADHIEN ASEBEHA, me shtetësi eritrease, ka mbërritur në Francë në rrugë ajrore dhe ka paraqitur një kërkesë për të hyrë në Francë më 1 korrik 2005 në cilësinë e azilkërkuesit; se në zbatim të dispozitave të lartpërmendura të nenit L. 221-1 të Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim, i interesuari është mbajtur në zonë pritjeje për shqyrtimin e kërkesës së tij për strehim; se pas këshillimit më 5 korrik 2005 me Zyrën franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe të Personave Pa Atdhe, ministri i Brendshëm dhe i Rregullimit të Territorit, me një vendim të kundërshtuar më datë 6 korrik 2005, nuk ia ka dhënë Z. GABERAMADHIEN ASEBEHA lejen e hyrjes në Francë, duke vlerësuar se kërkesa e tij për strehim ishte haptazi e pathemeltë;
Duke pasur parasysh, ç’është e vërteta, se e drejta për strehim dhe pasoja e saj e pashmangshme, e drejta për të kërkuar statusin e refugjatit e, për pasojë, për të qëndruar në Francë gjatë kohës së nevojshme për shqyrtimin e kërkesës për strehim, përbëjnë për të huajt një liri themelore për mbrojtjen e së cilës gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme, në rast urgjence, mund të urdhërojë, në bazë të dispozitave të sipërpërmendura të nenit L. 521-2 të Kodit të Drejtësisë Administrative, të gjitha masat e nevojshme kur, gjatë ushtrimit të njërit prej pushteteve të saj, administrata i ka shkaktuar asaj një cenim të rëndë e haptazi të paligjshëm; se gjithsesi një cenim i tillë nuk mund të jetë rezultat vetëm i rrethanës që, në zbatim të nenit L. 221-1 të Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim, ministri i Brendshëm ka marrë vetë vendim rreth kërkesës për strehim, në këtë rast me vendimin e 6 korrikut 2005, meqenëse Zyrës franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe të Personave Pa Atdhe, sipas nenit L. 711-1 të të njëjtit kod, mund t’i paraqitet kërkesë për pranimin e statusit të refugjatit vetëm nga të huaj që janë lejuar të futen brenda territorit; se, për më tepër, nga asnjë prej akteve të përfshira në dosje nuk del që moslejimi i hyrjes në territor të Z. GABERAMADHIEN ASEBEHA – për arsye të karakterit haptazi të pathemeltë të kërkesës së tij për strehim – të jetë i përlyer me ndonjë paligjshmëri të hapur; se, në veçanti, kërkuesi nuk sjell në mbështetje të kërkesës së tij asnjë saktësim të mjaftueshëm a të hollësishëm lidhur me identitetin e tij, me profesionin si kameraman e fotograf që paska ushtruar në vendin nga e ka prejardhjen, me faktet e përndjekjes që pretendon dhe arsyet e tyre, si edhe me rreziqet që do t’i kanoseshin në rast kthimi në vendin nga e ka prejardhjen apo në Sudan ku ka qëndruar së fundmi, as kurrfarë prove a elementi sado të vogël për të vërtetuar se sa reale qenkan këto rreziqe apo për të shfuqizuar vlerësimin e dhënë nga ministri i Brendshëm rreth kërkesës së tij për strehim; se vetëm dokumentet e paraqitura nga i interesuari, konkretisht dëshmia – shumë pak e hollësishme – e një gazetari të strehuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një letër e dalë nga “Reporterë Pa Kufij”, nuk mjaftojnë për të vërtetuar se atij i kanoseshin personalisht rreziqe në rast kthimi në vendin e tij ose në Sudan;
Duke pasur parasysh se, nga sa paraprin, rezulton që vendimi i 6 korrikut 2005 i ministrit të Shtetit, ministër i Brendshëm dhe i Rregullimit të Territorit, i cili e refuzon lejimin e Z. GABERAMADHIEN ASEBEHA në territor në cilësinë e azilkërkuesit, nuk mund të shihet sikur i ka sjellë të drejtës së tij për të kërkuar statusin e refugjatit ndonjë cenim të rëndë e haptazi të paligjshëm që të përligjë shpalljen e masave mbi bazë të nenit L. 521-2 të Kodit të Drejtësisë Administrative: se, për këtë arsye dhe në zbatim të dispozitave të lartpërmendura të nenit L. 522-3 të Kodit të Drejtësisë Administrative, kërkesa e të interesuarit, e cila është haptazi e pabazuar siç duhet, nuk mund të mos rrëzohet (...)”
16. Më 7 korrik 2005, policia e kishte dërguar paditësin në ambasadën e Eritresë. Autoritetet ia paskan dorëzuar rrëfimin e tij si azilkërkues – ku jepeshin me saktësi rrethanat e arratisjes së tij dhe emri i personave që e kishin ndihmuar – ambasadores së Eritresë, e cila i qenka vërsulur atij egërsisht në gjuhë eritrease dhe nuk paska pranuar ta njohë si shtetas të këtij vendi dhe të lëshojë një lejekalim.
Qeveria e përgënjeshtron që rrëfimi i azilkërkuesit t’i jetë dorëzuar ambasadores dhe që kjo e fundit të ketë shprehur atë ditë një qëndrim përfundimtar lidhur me lëshimin e një lejekalimi (ajo i paskësh informuar autoritetet franceze për qëndrimin e saj rreth kësaj çështjeje vetëm më 15 korrik 2005).
17. Me një vendim të 20 korrikut 2005, “duke marrë parasysh [sidomos] kërkesën për pezullim të rikthimit deri më 30 gusht 2005 të dhënë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në zbatim të nenit 39 të Rregullores së saj të brendshme”, ministri i Brendshëm e lejoi paditësin të depërtonte në territorin francez. Në të njëjtën kohë, atij iu lëshua një lejeqarkullim i vlefshëm për tetë ditë – po ashtu me synimin e masës së përkohshme të këshilluar qeverisë së paditur sipas nenit 39 të Rregullores – me qëllim që të paraqitej pranë një prefekture për të formuluar aty një kërkesë për leje të përkohshme qëndrimi si azilkërkues. Me ndihmën e Shoqatës Kombëtare të Ndihmës në Kufij për të Huajt (ANAFÉ, një organizatë joqeveritare që përmbledh njëzet shoqata e sindikata) dhe të Reporterëve Pa Kufij, ai mori nga prefektura e Parisit, më 26 korrik 2005, një leje për qëndrim të përkohshëm të vlefshme një muaj, për t’i paraqitur një kërkesë për strehim OFPRA-së (gjë të cilën ai e bëri).
18. Siç është treguar më parë, mbajtja e të interesuarit në zonë pritjeje ishte vendosur nga autoriteti administrativ më 1 korrik 2005 në orën 11, për një afat dyzet e tetë orësh (paragrafi 11 i mësipërm), dhe ishte ripërtërirë më 3 korrik për dyzet e tetë orë shtesë.
Më 5 korrik 2005, gjyqtari i lirive dhe i burgimit (“juge des libertés et de la détention”) i Gjykatës së shkallës së parë të Bobinjisë – para të cilit ishte paraqitur paditësi, i ndihmuar prej një avokati e një përkthyesi – kishte lejuar zgjatjen e mbajtjes në ndalim për një periudhë prej tetë ditësh, me anë të një urdhërese të arsyetuar kështu:
“Duke qenë se kërkesa për strehim politik e të interesuarit është në shqyrtim, është e udhës që ai të mbahet në zonë pritjeje.”
Më 13 korrik 2005, po i njëjti gjyqtar – para të cilit paditësi ishte paraqitur sërish e i ndihmuar në të njëjtën mënyrë – kishte lejuar mbajtjen në zonë pritjeje për një afat prej tetë ditësh me anë të një urdhërese të arsyetuar si më poshtë vijon:
“Duke qenë se kërkesa për strehim është rrëzuar më 6 korrik 2005, se i interesuari nuk ka pasaportë, se ai i është paraqitur ambasadës së Eritresë më 7 korrik 2005, se administrata është në pritje të lëshimit të një lejekalimi, mbajtja në zonë pritjeje është e nevojshme.”
19. Pas marrjes nga paditësi – më 18 korrik 2005 – të një kërkese për shfuqizim të urdhëresës së 8 korrikut 2005, Këshilli i Shtetit, me një vendim të datës 11 gusht 2005, përcaktoi pushimin e çështjes me këto fjalë:
“(...)
Duke pasur parasysh (...) se Z. Gaberamadhien Asebeha i ishte (...) drejtuar Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut ; se kjo Gjykatë, me një vendim të datës 15 korrik 2005, i ka këshilluar qeverisë franceze, në zbatim të nenit 39 të Rregullores së saj të brendshme, “se është e mira, në interes të palëve dhe të mbarëvajtjes së procedurës përpara Gjykatës, që paditësi të mos dëbohet drejt Eritresë deri më 30 gusht 2005 në mesnatë”; se, në vijim të kësaj kërkese, ministri, me një vendim të datës 20 korrik 2005, të marrë pas regjistrimit të apelimit, e ka lejuar të interesuarin të hyjë në territorin francez, duke i mundësuar atij në këtë mënyrë paraqitjen e një kërkese për azil, çka ai ka mundur madje ta bëjë pasi ka marrë më 26 korrik 2005 një leje të përkohshme qëndrimi; se masa e marrë në këtë mënyrë ka të njëjtin efekt si ajo që kishte si objekt kërkesa për lëshim urdhri që i ishte paraqitur gjyqtarit të ngarkuar me çështjet e ngutshme dhe e cila nuk mund të kishte veçse një karakter të përkohshëm; se, në këto kushte, argumentet e apelimit që Z. Gaberamadhien Asebeha ka bërë kundër urdhëresës me të cilën ishte rrëzuar kjo kërkesë nuk qëndrojnë më;
(...)”
20. Me një vendim të datës 7 nëntor 2005, të njoftuar më 9 nëntor 2005, OFPRA-ja e njohu paditësin si refugjat; neni 33 i Konventës së Gjenevës të 28 korrikut 1951 lidhur me statusin e refugjatëve përbën tashmë pengesë për çfarëdo mase dëbimi drejt vendit nga ai e ka prejardhjen. Qeveria ka paraqitur si provë një notë të zëvendësshefit të Degës së Çështjeve Juridike e Ndërkombëtare të OFPRA-së që e vërteton këtë gjë; ky saktëson se “në të njëjtën kohë, Zyra vlerësonte, duke pasur parasysh ndër të tjera kushtet çnjerëzore të burgimit të pësuar tashmë në vendin nga e ka prejardhjen, se një kthim në Eritre do ta vinte në rrezik për përndjekje në kuptimin e Konventës së lartpërmendur”.
21. Paditësi vë në dukje se, gjatë qëndrimit të tij në zonën e pritjes të aeroportit të Ruasisë, autoritetet nuk ia kanë nënshtruar atë një kontrolli mjekësor për të përcaktuar nëse shenjat e pasojat në trup ishin rrjedhoja keqtrajtimesh. Megjithatë, ai ka mundur të takohet disa herë (më datat 6, 7, 11 e 12 korrik 2005) me një punonjëse të ANAFÉ-së në hapësirat që ka kjo organizatë joqeveritare brenda zonës së pritjes të aeroportit. ANAFÉ-ja ka hartuar, më 15 korrik 2005, një vërtetim (të paraqitur si provë nga paditësi) ku dëshmohet se, me rastin e bisedave të zhvilluara me të, punonjësja e sipërpërmendur, ka vëzhguar se ai kishte gjurmë djegiesh së paku në njërin krah; vërtetimi shton se punonjësja e ANAFÉ-së ka vënë re “një gropëz në pjesën e poshtme të kurrizit [të paditësit, i cili] i ka shpjeguar asaj se kjo ishte pasojë e torturës së pësuar në kampin e Zarës dhe i ka treguar me shenja pozicionin në të cilin kishte qenë i detyruar të qëndronte gjatë burgimit të tij: i shtrirë barkas dhe me këmbë e duar të lidhura përmbi kurriz”; paditësi paraqet gjithashtu si provë një vërtetim të hartuar po atë ditë nga vetë punonjësja e lartpërmendur. Madje, i udhëzuar me sa duket nga ANAFÉ-ja, paditësi është kontrolluar më 17 korrik 2005 nga Doktor Lam (i njësisë mjekësore të Ruasisë të qendrës spitalore “Robert Ballanger”), i cili ka lëshuar një certifikatë mjekësore ku saktësohet se gjendja shëndetësore e të interesuarit nuk kërkonte përkujdesje të veçanta, por shënohen “shenja plagësh të mbetura në krahun e majtë, në gjunjët djathtas e majtas”.
II. LIGJI DHE PRAKTIKA E BRENDSHME LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. E drejta për strehim
22. Paragrafi i katërt i hyrjes së Kushtetutës shkruan se:
“Çdo njeri i përndjekur për arsye të veprimtarisë së tij në dobi të lirisë ka të drejtë për strehim në territoret e Republikës.”
Këshilli i Shtetit ka gjykuar se e drejta kushtetuese për azil ka karakterin e një lirie themelore dhe ka si pasojë të natyrshme të drejtën për të kërkuar statusin e refugjatit, e cila nënkupton që të huajit i cili bën lutje për njohjen e cilësisë si refugjat t’i lejohet si parim që të qëndrojë brenda territorit deri sa të merret vendim për kërkesën e tij; ai ka saktësuar përveç kësaj se, vetëm atëherë kur kjo e fundit është “haptazi e pathemeltë” (paragrafi 23 i mëposhtëm), ministri i Brendshëm, pas marrjes së mendimit të Zyrës franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe të Personave Pa Atdhe (OFPRA), mundet që të mos ia lejojë atij hyrjen në territor (shih, për shembull, Ministria e Brendshme k. Mbizi Mpassi Gallis, urdhëresë e datës 24 tetor 2005).
23. Sipas Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim:
Neni L. 711-1
“Cilësia e refugjatit i njihet çdo personi të përndjekur për arsye të veprimtarisë së tij në dobi të lirisë, si edhe çdo personi për të cilin Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ushtron mandatin e vet sipas neneve 6 e 7 të Statutit të tij ashtu siç e ka miratuar Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 14 dhjetor 1950 ose që u përgjigjet përkufizimeve të nenit të parë të Konventës së Gjenevës të 28 korrikut 1951 lidhur me statusin e refugjatëve. Këta persona rregullohen me dispozitat e zbatueshme për refugjatët sipas Konventës së lartpërmendur të Gjenevës”
Neni L. 712-1
“Përveçse në zbatim të dispozitave të nenit L. 712-2, përfitimi nga mbrojtja plotësuese i jepet çdo personi që nuk i plotëson ato kushte për t’iu njohur cilësia si refugjat, të cilat përmenden në nenin L. 711-1, por që e vërteton se në vendin e vet është i ekspozuar ndaj njërit prej kërcënimeve të rënda të mëposhtme:
a) Dënimit me vdekje;
b) Torturës ose mundimeve apo trajtimeve çnjerëzore a poshtëruese;
c) Nëse bëhet fjalë për një civil, një kërcënimi të rëndë, të drejtpërdrejtë e individual kundër jetës së tij ose personit të tij për arsye të një dhune të përgjithësuar si pasojë e një situate konflikti të armatosur të brendshëm a ndërkombëtar.”
Neni L. 713-2
“Përndjekjet e marra parasysh për dhënien e cilësisë së refugjatit dhe kërcënimet e rënda që mund të bëhen shkak për përfitimin e mbrojtjes plotësuese mund të jenë vepër e autoriteteve shtetërore, partish a organizatash që kontrollojnë shtetin ose një pjesë thelbësore të territorit të shtetit, apo faktorësh jo shtetërorë në rastet kur autoritetet e përkufizuara në paragrafin e mëposhtëm nuk pranojnë ose nuk janë në gjendje të ofrojnë mbrojtje.
Autoritetet që mund të ofrojnë mbrojtje mund të jenë autoritetet e shtetit dhe të organizatave ndërkombëtare e rajonale.”
Neni L. 713-3
“Kërkesa për strehim mund t’i rrëzohet një personi i cili ka mundësi të gjejë mbrojtje në një pjesë të territorit të vendit nga e ka prejardhjen, nëse ky person nuk ka kurrfarë arsyeje që të druhet se aty do të përndiqet apo do të ekspozohet ndaj ndonjë cenimi të rëndë dhe nëse është e arsyeshme të vlerësohet se ai mund të qëndrojë në atë pjesë të vendit. Në çastin kur merret vendim rreth kërkesës për strehim, merren parasysh kushtet e përgjithshme që mbizotërojnë në atë pjesë të territorit, situata personale e kërkuesit si edhe autori i përndjekjes.”
24. Sipas nenit 1 A 2) të Konventës së Gjenevës të 28 korrikut 1951 (e ratifikuar nga Franca më 23 qershor 1954) dhe nenit të parë të Protokollit të Nju Jorkut të 31 janarit 1967 (tek i cili Franca ka aderuar më 3 shkurt 1971) lidhur me statusin e refugjatëve, “refugjat” është cilido person që, “duke pasur frikë me të drejtë se mos përndiqet për shkak të racës, fesë, kombësisë, përkatësisë së tij ndaj një grupi shoqëror apo bindjeve të tij politike, ndodhet jashtë vendit shtetësinë e të cilit ka dhe i cili nuk mundet ose, për shkak të kësaj frike, nuk do që të kërkojë mbrojtjen e këtij vendi; ose i cili, nëse nuk ka shtetësi dhe ndodhet jashtë vendit ku ka qenë zakonisht me banim, nuk mundet ose, për shkak të frikës së lartpërmendur, nuk dëshiron të kthehet më aty”. Neni 33 i po kësaj konvente shkruan kështu:
Neni 33 – Ndalim i dëbimit ose i prapësimit
“1. Asnjë nga shtetet palë nuk do të dëbojë ose prapësojë, në çfarëdo mënyre qoftë, një refugjat në kufijtë e territoreve ku jeta a liria e tij mund të kërcënohet për shkak të racës, të fesë, të kombësisë, të përkatësisë së tij ndaj një grupi shoqëror apo të bindjeve të tij politike. (...)”
B. Procedura e azilit në kufi dhe mbajtja në zonë pritjeje
1. Procedura e azilit në kufi
25. Procedura e azilit në kufi ka për objekt të lejojë ose jo hyrjen në territorin francez të të huajve që paraqiten në kufijtë aeroportualë pa qenë të pajisur me dokumentet e duhura dhe që kërkojnë të pranohen aty si azilkërkues. Ajo është kompetencë e Ministrisë së Brendshme, e cila merr vendim që t’i pranojë ose jo të interesuarit pas marrjes së mendimit të OFPRA-së (dekreti i 21 korrikut 2004, i cili e ndryshon nenin 12 të dekretit të 27 majit 1982).
26. Neni L. 221-1 i Kodit të Hyrjes dhe të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim saktëson se “i huaj[i] që mbërrin në Francë në rrugë hekurudhore, detare ose ajrore dhe i cili ose nuk lejohet të hyjë në territorin francez, ose kërkon pranimin e tij si azilkërkues, mund të mbahet në një zonë pritjeje (...) gjatë kohës rreptësisht të domosdoshme për largimin e tij e, në rast se është azilkërkues, për një shqyrtim që synon të përcaktojë se mos kërkesa e tij është haptazi e pathemeltë.”
Qeveria vë në dukje se kriteret e zbatuara për të gjykuar për karakterin “haptazi të pathemeltë” ose jo të kërkesave për strehim të paraqitura në kufi frymëzohen nga ato të dala prej rezolutave të miratuara në Londër më 30 nëntor e 1 dhjetor 1992 nga ministrat e ngarkuar me imigrimin të shteteve anëtare të Komunitetit Evropian, dhe janë nxjerrë nga përvoja dhe praktikat e OFPRA-së. Fjala qenka për kriteret e mëposhtme: “arsyet e përmendura ndodhen jashtë problematikës së azilit (motive ekonomike, arsye leverdie të pastër personale...); kërkesa mbështetet në një mashtrim me paramendim (i interesuari përdor një shtetësi që dukshëm nuk është e tija, bën deklarime të rreme...); deklaratat janë të zhveshura nga çdolloj thelbi, jo të personalizuara, jo të hollësishme; i interesuari i referohet një situate të përgjithshme turbullire ose pasigurie, pa sjellë elemente të personalizuara; deklaratat përmbajnë mungesa koherence, gjëra pak të gjasshme ose kundërthënie madhore, të cilat e bëjnë aspak të besueshëm rrëfimin e tyre”. Në një vendim asambleje të datës 18 dhjetor 1996 (Rogers), Këshilli i Shtetit ka saktësuar se këto rezoluta nuk kanë vlerë normative dhe nuk mund të përmenden pra për të përcaktuar karakterin “haptazi të pathemeltë” të një kërkese për strehim.
27. I huaji që paraqet lutje për strehim në kufi mund ta bëjë këtë sapo mbërrin ose në çdo çast gjatë mbajtjes së tij në zonë pritjeje, pranë policisë kufitare, e cila harton një procesverbal kërkese për pranim në cilësinë e azilkërkuesit dhe ia përcjell dosjen Ministrisë së Brendshme. Secili kërkues merret në pyetje nga një agjent i Zyrës për Azilin në Kufi të OFPRA-së (ky bashkëbisedim ka si objekt që të njihen arsyet e kërkesës), i cili i përcjell Ministrisë së Brendshme një mendim me shkrim rreth karakterit haptazi të pathemeltë ose jo të përpjekjes së tij. Ministria merr pastaj vendimin për ta pranuar ose jo të interesuarin në territorin kombëtar.
Në rast pranimi, policia kufitare lëshon një lejeqarkullim, i cili i jep përfituesit të tij tetë ditë afat për të formuluar një kërkesë për strehim në kuadrin e procedurave të strehimit të zakonshëm.
Një vendim moslejimi konkretizohet me kthimin e menjëhershëm të të interesuarit drejt vendit nga e ka prejardhjen ose drejt vendit nga ka ardhur.
28. Ashtu si për të gjitha vendimet administrative, ndaj vendimeve të moslejimit mund të bëhet një ankim për shfuqizim para juridiksionit administrativ, i cili nuk është pezullues.
Ato mund të jenë gjithashtu objekti i një kërkese të ngutshme për pezullim (“référé suspension”) ose për lëshim urdhri në mbrojtje të një interesi a të një lirie themelore (“référé injonction” ose “référé liberté”) – jo pezullues – të parashikuar nga nenet L. 521-1 e L. 521-2 të Kodit të Drejtësisë Administrative:
Neni L. 521-1
“Kur një vendim administrativ, qoftë edhe për rrëzim kërkese, bëhet objekt i një ankimi për shfuqizim ose për ndryshim, gjyqtari i ngarkuar me shqyrtimin e çështjeve të ngutshme, të cilit i është paraqitur një kërkesë e tillë, mund të urdhërojë pezullimin e zbatimit të atij vendimi ose të disa prej efekteve të tij, nëse një gjë e tillë përligjet ngaqë puna nuk pret dhe tregohet një shkak që, gjatë fazës së hetimit, mund të sjellë një dyshim serioz rreth ligjshmërisë së vendimit.
Kur shpallet pezullimi, vendimi lidhur me ankimin për shfuqizim ose për ndryshim merret brenda një kohe sa më të shkurtër që të jetë e mundur. Pezullimi merr fund jo më parë sesa të jetë marrë vendim lidhur me ankimin për shfuqizim ose për ndryshim të vendimit administrativ.”
Neni L. 521-2
“Kur merr një kërkesë që përligjet si e ngutshme, gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme mund të urdhërojë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e një lirie themelore së cilës një person moral i së drejtës publike apo një organizëm i së drejtës private i ngarkuar me administrimin e një shërbimi publik mund t’i ketë shkaktuar, gjatë ushtrimit të një prej pushteteve të tij, një cenim të rëndë e haptazi të paligjshëm. Gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme shprehet brenda një afati prej dyzet e tetë orësh.”
Neni L. 522-1 i të njëjtit kod saktëson se gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme merr vendim në parim pas një procedure ballafaqimi me shkrim ose me gojë dhe se, nëse atij i kërkohet që të shpallë masat e parashikuara në nenet L. 521-1 e L. 521-2, që t’i ndryshojë ato ose t’u japë atyre fund, ai i njofton menjëherë palët për datën dhe orën e seancës publike. Neni L. 522-3 parashikon megjithatë një procedurë “përzgjedhjeje”, e cila e lejon gjyqtarin e ngarkuar me çështjet e ngutshme që të rrëzojë, nëpërmjet një urdhërese të thjeshtë të arsyetuar, pa i thirrur fare palët e pa mbajtur seancë ballafaqimi, një ankim që nuk paraqet karakter të ngutshëm apo kur “duket hapur, që në pamje të kërkesës, se kjo nuk është në kompetencën e juridiksionit administrativ, se është e papranueshme apo e pabazuar siç duhet”.
Apelimi është i mundshëm pranë Këshillit të Shtetit brenda pesëmbëdhjetë ditësh pas marrjes njoftim; ky shprehet brenda një afati prej dyzet e tetë orësh.
Këshilli i Shtetit ka saktësuar se nocioni “liri themelore”, në kuptimin e nenit L. 521-2 të Kodit të Drejtësisë Administrative, “kur është fjala për shtetas të huaj të cilët u nënshtrohen masave të posaçme që rregullojnë hyrjen dhe qëndrimin e tyre në Francë, dhe të cilët, në dallim nga shtetasit e vendit, nuk e përfitojnë pra lirinë për të hyrë në territor, përfshin të drejtën kushtetuese për strehim që ka si pasojë të natyrshme të drejtën për të kërkuar statusin e refugjatit, përfitimi i të cilit është vendimtar për ushtrimin prej personave në fjalë të lirive që u njihen përgjithësisht shtetasve të huaj” (urdhëresë e gjyqtarit të ngarkuar për çështjet e ngutshme e 12 janarit 2001, Hyacinthe; shih gjithashtu urdhëresën e 24 tetorit 2005, Mbizi Mpassi Gallis).
Në zbatim të parimeve të së drejtës administrative franceze, ushtrimi i një ankimi të ngutshëm (“référé”), ashtu si ai i çfarëdo rekursi gjyqësor, nuk e pezullon zbatimin e një vendimi administrativ. Qeveria parashtron megjithatë se “në mënyrë shumë të përgjithshme, kur autoriteti administrativ ka dijeni se gjyqtarit administrativ i është kërkuar një gjykim i shkurtuar, ai e pezullon zbatimin e masës së rrëzimit të kërkesës për strehim deri sa të jetë shprehur gjyqtari”.
2. Mbajtja në zonë pritjeje
29. Vendimi fillestar për mbajtje në zonë pritjeje merret nga autoriteti administrativ në formë të shkruar e të arsyetuar, për një afat që nuk mund t’i kapërcejë dyzet e tetë orët. Ky sistemim mund të përsëritet vetëm një herë në të njëjtat kushte dhe për të njëjtin afat (neni L. 221-3 i Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim). Gjyqtari i lirive dhe i ndalimit ndërhyn herën e parë mbas katër ditësh, për të vendosur një zgjatje afati deri në tetë ditë shtesë dhe, herën e dytë në përfundim të kësaj periudhe, për një zgjatje të jashtëzakonshme afati përsëri deri në tetë ditë të tjera (nenet L. 222-1 e L. 222-2).
Koha maksimale e mbajtjes në zonë pritjeje është pra, si parim, njëzet ditë; megjithatë, përjashtimisht, nëse formulohet një kërkesë për strehim midis ditës së gjashtëmbëdhjetë dhe asaj të njëzetë të mbajtjes, kjo e fundit mund të zgjatet me katër ditë nga gjyqtari i lirive dhe i ndalimit, duke nisur nga çasti i kërkesës (neni L. 222-2).
Gjyqtari i lirive dhe i ndalimit jep vendim me urdhëresa, pasi dëgjon të interesuarin, në prani të avokatit të tij nëse ai e ka një të tillë, ose duke e pasur njoftuar këtë të fundit në formën e duhur; ai mund ta japë zgjatjen e afatit ose ta refuzojë atë duke e lënë të lirë të huajin ose duke e vendosur atë në regjimin e ndalimit në qendër të mbyllur. Ai vendos lirisht rreth kërkesës për zgjatje afati të bërë nga administrata dhe mund t’i hedhë poshtë arsyet e parashtruara prej saj për përligjjen e kësaj kërkese dhe t’ia rrëzojë kështu atë (Gjykata e Kasacionit ka saktësuar se mbajtja në zonë pritjeje “nuk është veçse një mundësi për gjyqtarin”; Kas., Dh. II Civ., 8 korrik 2004). Si parim, ai jep vendim publikisht (neni L. 222-4). Urdhëresat e tij mund të apelohen pranë kryetarit të parë të Gjykatës së Apelit ose të deleguarit të tij, i cili duhet të marrë vendim brenda dyzet e tetë orësh pas marrjes së kërkesës (neni L. 222-6).
30. I huaji i mbajtur në zonë pritjeje informohet sa më parë se mund të kërkojë ndihmën e një përkthyesi e të një mjeku, të komunikojë me një avokat ose me çdo person që mund të zgjedhë vetë, si edhe të largohet në çdo çast nga zona e pritjes në drejtim të çfarëdo destinacioni që ndodhet jashtë Francës. Këto informacione i komunikohen atij në një gjuhë të kuptueshme për të (neni L. 221-3).
I huaji mund t’i kërkojë gjyqtarit që t’i caktohet një mbrojtës nga gjykata (neni L. 222-4), honorarët e të cilit merren përsipër nga shteti pa llogaritur shpërblimet për përkthyesit e caktuar për të ndihmuar të huajin gjatë procedurës së gjykimit për mbajtje në zonë pritjeje (neni L. 222‑7).
Prokurori i Republikës si edhe, pas kalimit të katër ditëve të para, gjyqtari i lirive dhe i ndalimit mund të shkojnë në terren për të verifikuar kushtet e mbajtjes në zonë pritjeje ; prokurori i Republikës i viziton zonat e pritjes sa herë që e sheh të nevojshme dhe së paku një herë në vit. Delegacioni francez i Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe shoqatat humanitare mund të hyjnë në zonën e pritjes sipas kushteve të caktuara me dekretin nr. 95-507 të 2 majit 1995 të ndryshuar; ato kanë sidomos mundësi të bashkëbisedojnë në fshehtësi me azilkërkuesit që mbahen aty (nenet L. 221-1 e vijues të Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim). Qeveria saktëson se, në zbatim të një konvente të nënshkruar ndërmjet shtetit dhe ANAFÉ-së, kjo e fundit mund të jetë aty e pranishme njëzet e katër orë në ditë dhe të sigurojë aty ndihmën juridike për të huajt, dhe se Kryqi i Kuq siguron aty një ndihmë humanitare (gjithashtu në zbatim të një konvente).
C. Paraqitja e shqyrtimi i kërkesës dhe mundësitë e apelimit
31. OFPRA-ja, një institucion publik me statusin e personit civil dhe me autonomi financiare e administrative, i vendosur pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme (neni L. 721-1 i Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim), është autoriteti kompetent për njohjen e cilësisë së refugjatit dhe dhënien e mbrojtjes plotësuese (nenet L. 713-1 e L. 721-2).
Kërkuesi duhet të shkojë pranë një prefekture për të marrë aty një leje të përkohshme qëndrimi – të vlefshme për një muaj – e për të plotësuar formularin e kërkesës për strehim. Sapo e merr dosjen, OFPRA-ja i dërgon kërkuesit një “letër regjistrimi”, çka i jep atij mundësi për marrjen e një dëftese ku dëshmohet se ka paraqitur një kërkesë për strehim, e cila është e vlefshme tre muaj dhe mund të ripërtërihet deri në vendimin e OFPRA-së dhe, nëse është rasti, të Komisionit për Apelimet e Refugjatëve.
OFPRA-ja shprehet në përfundim të një shqyrtimi të vetëm, gjatë të cilit azilkërkuesit i jepet mundësi të paraqesë argumentet në mbështetje të kërkesës së tij dhe, si parim, pasi është dëgjuar ky i fundit (nenet L. 723-2 e L. 723-3).
32. Vendimet për mospranim kërkese që merren nga OFPRA-ja, veçanërisht në zbatim të neneve L. 711-1 e L. 712-1 mund të apelohen brenda një afati njëmujor përpara Komisionit për Apelimet e Refugjatëve (neni L. 731-2), një juridiksion administrativ i vendosur nën autoritetin e një kryetari, anëtar i Këshillit të Shtetit, të emëruar nga zëvendëskryetari i Këshillit të Shtetit (neni L. 731-2); të interesuarit mund t’ia paraqesin shpjegimet e tyre Komisionit për Apelimet dhe të ndihmohen aty nga një avokat dhe një përkthyes (neni L. 733-1).
Si parim, ky ankim është pezullues dhe leja e përkohshme e qëndrimit ripërtërihet deri në daljen e vendimit të Komisionit (neni 9 i ligjit të 25 korrikut 1952 për të drejtën e strehimit). Lidhur me këtë, neni L. 742-3 i Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim saktëson si më poshtë vijon:
“I huaji i pranuar që të qëndrojë në Francë përfiton nga e drejta për t’u mbajtur aty deri në njoftimin e vendimit të OFPRA-së ose, në qoftë se është bërë ndonjë apelim, deri në njoftimin e vendimit të Komisionit për Apelimet. Ai ka një muaj afat, duke filluar nga çasti i njoftimit të mospranimit të ripërtëritjes ose i heqjes së lejes së tij të qëndrimit, për t’u larguar vullnetarisht nga territori francez.”
Përveç kësaj, Këshilli i Shtetit ka vendosur parimin e së drejtës që ka i huaji i cili bën lutje që t’i njihet cilësia e refugjatit për të qëndruar përkohësisht brenda territorit deri sa të jetë marrë vendim rreth kërkesës së tij, me përjashtim të kërkesave që janë abuzive ose që bëhen për të zvarritur çështjen (Kësh. i Sht., asambleja, 13 dhjetor 1991, M. N.).
33. Vendimet e Komisionit të Apelimeve të Refugjatëve mund të bëhen – brenda një afati dymujor – objekt apelimi në Këshillin e Shtetit. Megjithatë, ky apelim nuk ka karakter pezullues (Kësh. i Sht., 6 mars 1991, M. D.).
34. I huaji të cilit i është mohuar përfundimisht njohja e cilësisë si refugjat apo përfitimi i mbrojtjes plotësuese dhe të cilit nuk mund t’i lejohet të qëndrojë brenda territorit në një cilësi tjetër, duhet të largohet nga territori francez se përndryshe dënohet me masë dëbimi në kufi (neni L. 742-7 i Kodit). I huaji që bëhet kështu objekt i një vendimi dëbimi në kufi mundet që, brenda dyzet e tetë orësh pas marrjes njoftim, kur vendimi njoftohet në rrugë administrative, ose brenda shtatë ditësh, kur ai njoftohet në rrugë postare, t’ia kërkojë shfuqizimin e këtij vendimi kryetarit të Gjykatës Administrative; kryetari ose i deleguari i tij jep vendim brenda një afati prej shtatëdhjetë e dy orësh pas marrjes së kërkesës (neni L. 512-2 i Kodit). Vendimi nuk mund të zbatohet para mbarimit të këtyre afateve ose, në qoftë se i është bërë kërkesë kryetarit të Gjykatës Administrative ose të deleguarit të tij, para se ky të ketë dhënë vendimin e vet (neni L. 512-3 i Kodit). Ndaj vendimit të kryetarit të Gjykatës Administrative ose të të deleguarit të tij mund të bëhet apelim brenda një afati prej një muaji te kryetari i Seksionit për Mosmarrëveshje i Këshillit të Shtetit ose një këshilltar Shteti i deleguar prej tij; ky apelim nuk është pezullues (neni L. 512-5 i Kodit).
35. Sipas nenit L. 742-6 të Kodit, në rast njohjeje të cilësisë së refugjatit apo dhënies së mbrojtjes plotësuese, autoriteti administrativ e shfuqizon vendimin që mund të jetë marrë për dëbim në kufi. Ai i lëshon menjëherë refugjatit kartën e rezidentit, të parashikuar në paragrafin 8 të nenit L. 314-11 (të vlefshme për dhjetë vjet dhe të ripërtërishme me të drejta të plota), ndërsa përfituesit të mbrojtjes plotësuese kartën e përkohshme të qëndrimit, të parashikuar në nenin L. 313-13 (të vlefshme për një vit, të ripërtërishme).
III. VËSHTRIM I SHKURTËR I PUNIMEVE TË BËRA NË SUAZËN E KËSHILLIT TË EVROPËS
A. Komiteti i Ministrave
36. Më 18 shtator 1998, Komiteti i Ministrave ka miratuar një Rekomandim (nr. R (98) 13) “rreth të drejtës së azilkërkuesve të prapësuar për një rekurs efektiv ndaj vendimeve të dëbimit në kontekstin e nenit 3 të Konventës Evropiane të së Drejtave të Njeriut”, duke i ftuar shtetet anëtare që të kujdesen për të respektuar garancitë e mëposhtme në legjislacionin ose në praktikën e tyre:
“1. Çdo azilkërkuesi të cilit i është refuzuar statusi i refugjatit e që bëhet objekt dëbimi drejt një vendi për të cilin ai parashtron një ankesë të pranueshme duke pretenduar se rrezikon t’u nënshtrohet torturave ose dënimeve a trajtimeve çnjerëzore apo poshtëruese, duhet t’i jepet mundësia të ushtrojë një rekurs efektiv pranë një instance kombëtare.
2. Në kuadër të zbatimit të paragrafit 1 të këtij rekomandimi, çdo rekurs pranë një instance kombëtare konsiderohet si efektiv kur:
2.1. instanca është gjyqësore; ose, në qoftë se ajo është pothuajse gjyqësore apo administrative, kur ajo identifikohet qartësisht dhe përbëhet nga anëtarë të paanshëm të cilët kanë garanci pavarësie;
2.2. instanca ka tagër si për të vendosur rreth ekzistencës së kushteve të parashikuara nga neni 3 i Konventës, ashtu edhe për të caktuar një zhdëmtim të drejtë;
2.3. rekursi është i mundshëm për azilkërkuesin e prapësuar; dhe
2.4. zbatimi i urdhrit për dëbim pezullohet deri sa të jepet një vendim sipas paragrafit 2.2.”
Më 4 maj 2005, Komiteti i Ministrave ka miratuar “njëzet parimet udhëheqëse për kthimin e detyruar”. Parimi nr. 5 është i formuluar në këtë mënyrë:
“Parimi nr. 5. Rekursi kundër një vendimi për largim
1. Në vendimin për largim ose gjatë procesit që shpie te vendimi për largim, personit të interesuar duhet t’i jepet mundësia për një rekurs efektiv pranë një autoriteti ose organi kompetent të përbërë prej anëtarësh të paanshëm dhe që kanë garanci pavarësie. Autoriteti ose organi kompetent duhet ta ketë pushtetin për ta rishqyrtuar vendimin e largimit, duke përfshirë edhe mundësinë për ta pezulluar përkohësisht zbatimin e tij.
2. Rekursi duhet të ofrojë garancitë e duhura procedurale dhe të paraqesë karakteristikat e mëposhtme:
– afati i ushtrimit të rekursit nuk duhet të jetë aq i shkurtër sa të mos jetë i arsyeshëm;
– rekursi duhet të jetë i mundshëm, çka nënkupton sidomos që, në qoftë se personi që preket nga vendimi për largim nuk ka burime të mjaftueshme për të siguruar ndihmën e nevojshme juridike, ai duhet ta përfitojë falas këtë ndihmë, në përputhje me legjislacionin kombëtar që lidhet me fushën e ndihmës gjyqësore;
– nëse personi parashtron se kthimi i tij do të sjellë si pasojë një shkelje të së drejtave të njeriut të përmendura në parimin udhëheqës 2.1, rekursi duhet të parashikojë një shqyrtim të rreptë të këtyre pretendimeve.
3. Ushtrimi i rekursit duhet të ketë një efekt pezullues në rast se personi i caktuar për t’u larguar parashtron një ankesë të pranueshme me pretendimin se ai mund t’u nënshtrohet trajtimeve që bien në kundërshtim me të drejtat e njeriut të përmendura në parimin udhëheqës 2.1 [rrezik real për t’u ekzekutuar ose për t’iu nënshtruar torturës apo trajtimeve a dënimeve çnjerëzore ose poshtëruese; rrezik real për t’u vrarë ose për t’iu nënshtruar trajtimeve çnjerëzore apo poshtëruese nga agjentë jo shtetërorë, në qoftë se autoritetet e shtetit apo një pjesë substanciale e territorit të tij, duke përfshirë organizatat ndërkombëtare, nuk e kanë mundësinë ose vullnetin për të dhënë një mbrojtje të përshtatshme dhe të efektshme; situata të tjera që, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare ose me legjislacionin kombëtar, do ta përligjnin dhënien e një mbrojtjeje ndërkombëtare].”
B. Asambleja Parlamentare
37. Qysh në një Rekomandim (1236 (1994)) “lidhur me të drejtën për strehim”, të miratuar më 12 prill 1994, Asambleja Parlamentare e porosiste Komitetin e Ministrave që të ngulte këmbë në mënyrë që procedurat e shqyrtimit të kërkesave për azil të parashikonin që “gjatë rekursit, kërkuesi të mos mund të dëbohet”. Në një Rekomandim tjetër (1327 (1997)) të miratuar më 24 prill 1997, “lidhur me mbrojtjen dhe me forcimin e të drejtave të njeriut për refugjatët dhe azilkërkuesit në Evropë”, ajo e fton atë që “t’u kërkojë pa reshtur shteteve anëtare (...) të parashikojnë në legjislacionin e tyre efektin pezullues të çdo rekursi gjyqësor”.
Në Rezolutën e saj 1471 (2005) lidhur me “procedurat e përshpejtuara të azilit në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës”, të miratuar më 7 tetor 2005, Asambleja Parlamentare thekson në veçanti se “është e udhës të gjendet një baraspeshë midis domosdoshmërisë që shtetet t’i trajtojnë në mënyrë të shpejtë e të efektshme kërkesat për azil dhe detyrimit të tyre që, gjithsesi, t’u japin personave në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare mundësinë për një procedurë të drejtë për përcaktimin e azilit”, duke saktësuar se “baraspeshë” nuk do të thotë “kompromis”, sepse shtetet nuk mund të bëjnë kurrsesi lëshime me detyrimet e tyre ndërkombëtare që rrjedhin nga Konventa e Gjenevës e vitit 1951 lidhur me statusin e refugjatëve (...) dhe nga Protokolli i saj i vitit 1967, si dhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut e vitit 1950 (...) e nga Protokollet e saj”.
Me këtë rezolutë, Asambleja Parlamentare i fton qeveritë e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të marrin (konkretisht) masat e mëposhtme:
“(...)
8.4. për sa u përket azilkërkuesve në kufi:
8.4.1. të kujdesen, në përputhje me parimin e mosdiskriminimit, që të gjithë azilkërkuesit të regjistrohen në kufi dhe të kenë mundësinë për të paraqitur një kërkesë për dhënien e statusit të refugjatit;
8.4.2. të veprojnë në mënyrë të tillë që të gjithë azilkërkuesit, qoftë në kufi, qoftë në brendësi të vendit, të përfitojnë nga të njëjtat parime dhe garanci për kërkesën e tyre për dhënie të statusit të refugjatit;
8.4.3. të sigurojnë miratimin e vijave udhëheqëse të qarta e juridikisht detyruese për trajtimin e azilkërkuesve në kufij, duke respektuar të drejtën dhe normat ndërkombëtare të së drejtave të njeriut dhe të refugjatëve;
8.5. për sa i përket së drejtës për rekurs me efekt pezullues: të veprojnë në mënyrë të tillë që të respektohet e drejta për rekurs efektiv e nenit 13 të Konventës Evropiane të së Drejtave të Njeriut, sidomos e drejta për të apeluar një vendim negativ dhe e drejta për ta pezulluar zbatimin e masave derisa autoritetet kombëtare të kenë shqyrtuar përputhjen e tyre me Konventën Evropiane të së Drejtave të Njeriut;
(...)”
C. Komisari për të Drejtat e Njeriut
38. Komisari për të Drejtat e Njeriut ka formuluar një Rekomandim “lidhur me të drejtat e të huajve që dëshirojnë të hyjnë në territorin e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe me zbatimin e vendimeve për dëbim” (KomDNj(2001)19). Ai mban datën 19 shtator 2001 dhe thekson në veçanti si më poshtë vijon:
“11. Është e domosdoshme që jo vetëm të garantohet, por edhe të sigurohet në praktikë e drejta për të ushtruar një rekurs gjyqësor, në kuptimin e nenit 13 të KEDNj, kur personi i interesuar parashtron se autoritetet kompetente e kanë shkelur, ose rrezikojnë ta shkelin, një nga të drejtat e garantuara nga KEDNj. Kjo e drejtë për rekurs efektiv u duhet garantuar të gjithë atyre që dëshirojnë të kundërshtojnë një vendim kthimi ose dëbimi nga territori. Ky rekurs duhet të jetë pezullues për zbatimin e një vendimi dëbimi, të paktën kur parashtrohet një shkelje e mundshme e neneve 2 dhe 3 të KEDNj.”
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 13 TË KONVENTËS TË BASHKUAR ME NENIN 3
39. Paditësi, i cili mbron idenë se ai mund të ishte rrezikuar të pësonte torturë ose trajtime çnjerëzore a poshtëruese në rast kthimi në Eritre, denoncon se në të drejtën e brendshme mungon një rekurs pezullues kundër vendimeve për mospranim në territor dhe për rikthim, qoftë ose jo azilkërkues i huaji i interesuar e cilado qofshin rreziqet që pretendohen e që kanosen. Ai u referohet neneve 13 dhe 3 të Konventës, të bashkuara, të cilat janë të formuluara si më poshtë vijon:
Neni 13
“Çdo person të cilit i kanë shkelur të drejtat dhe liritë e njohura në (...) Konventë, ka të drejtë të paraqesë një ankim efektiv përpara një instance kombëtare, edhe kur kjo shkelje ka qenë kryer nga persona që veprojnë brenda ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare.”
Neni 3
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
A. Argumentet e palëve
1. Paditësi
40. Paditësi thekson në radhë të parë se nga jurisprudenca e Gjykatës del se, për t’u ankuar për një shkelje të nenit 13, nuk është nevoja të vërtetohet ndonjë shkelje efektive e të drejtave dhe lirive të njohura nga Konventa: e drejta për rekurs efektiv i njihet kujtdo që pretendon një shkelje të njërës prej këtyre të drejtave ose lirive, mjafton që ky pretendim të jetë “i pranueshëm” në vështrim të Konventës.
Ai parashtron më tej se, në rastin e tij, pas ushtrimit të rekurseve për mosmarrëveshje dhe pasi një mori rrethanash (prejardhja e panjohur e paditësit dhe mospranimi i ambasadës eritrease për të lëshuar një lejekalim) e pastaj masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata e kanë penguar largimin e parashikuar, Franca i ka njohur atij statusin e refugjatit dhe i ka lëshuar një leje qëndrimi. Ai shënon se Gjykata, në vendimin e saj rreth pranueshmërisë së çështjes, kishte nxjerrë nga kjo përfundimin se ai e kishte bjerrë cilësinë e “viktimës” në vështrim të nenit 3, por mbron idenë se kjo nuk i heq asgjë as karakterit të pranueshëm të ankimit të nxjerrë nga neni 3, as faktit se personat që, ashtu si në rastin e tij, janë azilkërkues në kufi, nuk kanë në dispozicion një “rekurs efektiv” në kuptimin e nenit 13, që të bëjë të mundur shmangien e kthimit të tyre drejt një vendi ku do të rrezikonin t’i nënshtrohen torturës ose dënimeve apo trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.
41. Paditësi parashtron më tej se, sipas ligjit, një moslejim për të hyrë në territor dhe një prapësim mund të përligjen vetëm me karakterin “haptazi të pathemeltë” të një kërkese për azil në kufi; mirëpo, në mungesë të një kontrolli gjyqësor efektiv, administrata mund ta zbatojë në mënyrë abuzive këtë nocion, çka u ilustruaka me rastin e tij. Ai paraqet si provë një dokument me titull “Bilanc me shifra i azilit në kufi, viti 2004”, me burim nga Ministria e Brendshme franceze, nga i cili del se 92,3% e kërkesave për strehim në kufi janë deklaruar si haptazi të pathemelta në vitin 2004 (96,2% në 2003; megjithatë, in concreto, në vitin 2004 në territor është pranuar pothuajse një në dy azilkërkues – 48%, pra 1 247 persona –, edhe këto për arsye të mospranimit të disave në bord, të mbarimit të afatit ligjor për mbajtjen në zonë pritjeje ose të mungesës së ndonjë fluturimi të programueshëm në kthim, të mungesës së destinacionit për prapësim, ose të urdhëresave të gjyqtarit të lirive të dhëna në favor të azilkërkuesve). Për sa i takon shtimit të mendimeve pozitive nga ana e OFPRA-së më 2005, që Qeveria kërkon ta përmendë në favor të saj – i cili është relativ, përderisa afërsisht 88% të kërkesave mendohet prapëseprapë se janë rrëzuar si “haptazi të pathemelta” – ai ngjan të jetë rezultat i ndryshimit të bazës së përllogaritjes së përqindjes së njohjeve, si edhe i mbërritjes atë vit në aeroportin e Ruasisë të një numri të madh çeçenësh e opozitarësh kubanë.
Rregullsi mendohet se është kthimi i detyrueshëm e sistematik brenda pak orësh pas rrëzimit të kërkesës si “haptazi e pathemeltë”; koha mesatare e qëndrimit në zonë pritjeje qenka kështu 1,82 ditë, dhe 89% e kërkesave për azil në kufi u shqyrtuakan brenda katër ditësh. Për mendimin e tij, është “vetë arkitektura e sistemit të mbrojtjes juridiksionale të azilkërkuesve në kufi që është e zhveshur nga efektshmëria e nuk lejon të garantohen të drejtat themelore”.
42. Për sa u përket rekurseve që mund të ushtrohen kundër një vendimi për refuzim pranimi, paditësi nënvizon pikësëpari se procedura e ankimit për gjykim të ngutshëm pranë kryetarit të Gjykatës Administrative (nenet L. 521-1 e L. 521-2 të Kodit të Drejtësisë Administrative) – të cilën ai e ka përdorur pa sukses – nuk është efektive, sepse është e zhveshur nga efekti pezullues dhe i nënshtrohet disa kushteve shumë të shtrënguara e të interpretuara ngushtësisht (i interesuari duhet të karakterizojë një cenim të rëndë e dukshëm të paligjshëm ndaj një lirie themelore). Sistemi francez qenka në këtë drejtim i ngjashëm me sistemin belg, të cilin, në çështjen Čonka k. Belgjikës (nr. 51564/99, GjEDNj 2002-I), pikërisht për këtë arsye, Gjykata e ka gjykuar si të pamjaftueshëm në vështrim të kërkesave të nenit 13. Paditësi mbron përveç kësaj mendimin se, ndryshe nga sa pretendon Qeveria, nuk ka ndonjë praktikë “konstante” sipas së cilës autoritetet nuk procedojnë me largim para se të ketë dhënë vendim gjyqtari administrativ i ngarkuar me çështjet e ngutshme; duke iu referuar çështjes Čonka (të cituar më lart, § 83), ai shton se gjithsesi një praktikë e tillë, e cila varet nga dëshira e mirë e njërës palë dhe mund të prapësohet në çdo çast, “nuk ka sesi ta zëvendësojë garancinë procedurale themelore të një rekursi pezullues”.
Për më tepër, magjistratët e shërbimit të përhershëm të Gjykatës Administrative të Serzhi-Pontuazës (të parët që kanë të bëjnë me padi të tilla, meqenëse kërkesat për azil në kufi paraqiten pothuajse vetëm në aeroportin e Ruasisë) e përdorkan në mënyrë mjaft sistematike rrëzimin e padive me “përzgjedhje” për “papranueshmëri të dukshme”, çka u dëshmuaka nga fati që ka pësuar kërkesa e tij për shqyrtim të ngutshëm. Gjyqtari vendoska pastaj pa mbajtur seancë publike, as ballafaqim, as paraqitje të të interesuarit, duke u mbështetur vetëm te dokumentet e paraqitura nga ky i fundit (përgjithësisht jo të përkthyera) dhe te vendimet e pafavorshme e shabllone të marra nga administrata.
Sigurisht, më 2004, gjyqtari i ngarkuar me shqyrtimin e çështjeve të ngutshme i Gjykatës Administrative të Serzhi-Pontuazës i ka dhënë zgjidhje të favorshme 17 çështjeve nga 39 që i janë paraqitur atij (pra, 43,6% të rasteve); por do të mjaftonte të shihen këto shifra në krahasim me 2 548 kërkesat për azil të regjistruara në zonë pritjeje gjatë të njëjtit vit për të kuptuar se ato dëshmojnë më shumë për mohimin e të drejtave të azilkërkuesve të mbajtur në zonë pritjeje sesa për efektshmërinë e kësaj procedure. Në të vërtetë, ndodhka shpesh që të interesuarit të kthehen madje para se të jenë thirrur në seancë nga një gjyqtar administrativ.
Si përfundim, qenka iluzion të mendohet që një i huaj i mbajtur në zonë pritjeje, gati për t’u dëbuar në zbatim të një vendimi ekzekutiv e të zbatueshëm në çdo çast, i cili nuk e flet medoemos frëngjishten dhe të cilit nuk i jepet ndihmë juridike, të ketë luksin që t’i paraqesë gjyqtarit administrativ një kërkesë të tillë, me letër të porositur ose me dorëzim në sekretari, në katër kopje, e që të ndjekë një procedurë kaq teknike. Duke pasur përfituar nga ndërhyrja vullnetare e disa organizatave joqeveritare dhe e një avokati, paditësi qenka një përjashtim në këtë drejtim. Edhe sikur të hamendësohej që një rekurs i tillë të mund të gjykohet në parim si efektiv në kuptimin e nenit 13, prapëseprapë do të ishte e udhës të gjykohet se ai nuk qe i tillë në rastin e çështjes në fjalë, përderisa kërkesa e paditësit u rrëzua menjëherë e shkurt, pa shqyrtim të thelluar, hetim, seancë, ballafaqim, paraqitje e shqyrtim provash.
I vetmi rekurs i mundshëm kundër vendimit të gjyqtarit të ngarkuar me çështjet e ngutshme është një kërkesë për prishje vendimi – jo pezulluese – përpara Këshillit të Shtetit; mirëpo kërkesa për prishje vendimi mund të mbështetet vetëm në mjete formale ose të pastra ligjore – çka e përjashton vënien në pikëpyetje të vlerësimit sovran të fakteve nga ana e gjyqtarit të çështjes në themel – dhe supozon ndërhyrjen e detyrueshme të një avokati të Këshillave ndërkohë që përfitimi i ndihmës juridike është gati i pamundur në rastin e azilkërkuesve: ai i nënshtrohet një kushti qenieje me banim të rregullt e të zakonshëm në territorin francez, supozon dorëzimin e një formulari kërkese ad hoc, të plotësuar në frëngjisht e të shoqëruar me përligjje të ardhurash, dhe vendimi del vetëm pas disa muajsh. Edhe në këtë pikë, paditësi paska qenë një përjashtim, ngaqë ka përfituar nga ndihma vullnetare e avokatit të tij në shkallë të parë dhe e ANAFÉ-së. Gjithsesi, në rastin e çështjes në fjalë, Këshilli i Shtetit është shprehur vetëm më 11 gusht 2005, ose më shumë se një muaj pas marrjes së kërkesës nga ana e tij, e për më tepër për ta pushuar çështjen.
43. I njëjti konstatim do të mund të bëhej edhe lidhur me mundësinë e ankimit për tejkalim pushteti ose për shfuqizim përpara gjyqtarit administrativ kundër vendimit të mospranimit e të kthimit: një rekurs i tillë do të gjykohej vetëm disa vite pas paraqitjes së tij dhe gjyqtari do të kënaqej sipas gjasave, në përputhje me jurisprudencën, duke konsideruar se nuk ka më vend për të marrë vendim, meqenëse paditësi është pranuar më në fund brenda territorit në saje të masës së përkohshme që Gjykata i ka këshilluar Qeverisë sipas nenit 39 të Rregullores së saj.
44. Paditësi ripohon bindjen e tij se ai ka shpëtuar vetëm falë rrethanave, e sidomos refuzimit të ambasadores së Eritresë – së cilës autoritetet franceze i paskan paraqitur rrëfimin e tij si azilkërkues, duke e ekspozuar atë edhe më shumë ndaj masave hakmarrëse në rast kthimi në atë vend – për të lëshuar një lejekalim, dhe kryesisht vënies në zbatim të nenit 39 të Rregullores.
2. Qeveria
45. Si argument kryesor, Qeveria pohon se neni 13 i Konventës, i bashkuar me nenin 3, nuk është i zbatueshëm në rastin çështjes në fjalë. Nga njëra anë, që prej 5 nëntorit 2005 (datë në të cilën ai ka fituar statusin e refugjatit), paditësi nuk qenka më i ekspozuar ndaj ndonjë rreziku dëbimi, kështu që ankimi i nxjerrë nga neni 3 nuk qenka më “i pranueshëm” dhe neni 13 nuk mund t’u bashkuaka më me këtë dispozitë. Nga ana tjetër, paditësi e paska bjerrë cilësinë si viktimë, meqë neni 13 nuk ndahet dot nga nenet e tjera ku ai gjen zbatim: duke mos mundur më ta quajë veten viktimë të një shkeljeje të nenit 3, ai nuk mundka aq më tepër ta quajë veten as viktimë të një shkeljeje të nenit 13 të bashkuar me këtë dispozitë.
46. Si argument plotësues, Qeveria mbron idenë se ankesa nuk është e bazuar.
47. Ajo parashtron se procedurat e gjykimit të shkurtuar për pezullim (“référé suspension”, neni L. 521‑1 i Kodit të Drejtësisë Administrative) ose për lëshim urdhri në mbrojtje të një interesi a të një lirie themelore (“référé injonction” ose “référé liberté”, neni 521-2 i të njëjtit kod) japin mundësinë për ta pezulluar zbatimin e një mase që rrezikon të sjellë shkelje të nenit 3 të Konventës. Duke iu referuar në veçanti vendimeve Soering k. Mbretërisë së Bashkuar (7 korrik 1989, § 123, seria A nr. 161) dhe Vilvarajah me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar (30 tetor 1991, § 125, seria A nr. 215), ajo shton se apelimi i kërkuar nuk ka pse të jetë automatikisht pezullues sipas të drejtës: mjaftuaka që ai të ketë një efekt pezullues “në praktikë”. Mirëpo i tillë qenka rasti kur dikush i drejtohet gjyqtarit administrativ të ngarkuar me shqyrtimin e çështjeve të ngutshme, sepse në praktikë autoritetet nuk e zbatuakan largimin para se të ketë dhënë vendim ky gjyqtar.
Qeveria vë në dukje se paditësi ka mundur ta ushtrojë një rekurs të tillë kundër vendimit për mospranim të marrë ndaj tij dhe se, pasi e ka marrë kërkesën më 7 korrik 2005, gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme ka dhënë vendim qysh të nesërmen. Ajo vlerëson se paditësit i është siguruar kështu një shqyrtim i çështjes së vet, i cili i paraqet garancitë për seriozitet dhe pavarësi që kërkohen nga jurisprudenca e Gjykatës, përderisa gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme e ka bazuar vendimin e tij mbi elemente objektive e të vlerësuara në mënyrë sovrane.
48. Nga ana tjetër, Qeveria vë në dukje se përpjesëtimi i mendimeve pozitive të dhëna nga OFPRA-ja ishte 22,2% në vitin 2005, ose afërsisht sa trefishi i përqindjes së pranimit në kuadër të procedurës për përfitimin e azilit gjatë të njëjtit vit (8,2%). Sipas saj, kjo diferencë vërteton se në kufi dyshimi përbën një element që shkon në favor të azilkërkuesit. Ajo shton se nuk ka dijeni për ndonjë rast ku kthimi i një të huaji të paskësh sjellë a posteriori që ai të pësojë trajtime në kundërshtim me nenin 3 të Konventës apo me nenin 33 të Konventës së Gjenevës.
Duke iu përgjigjur vërejtjeve të ANAFÉ-së (këtu më poshtë), ajo shton në veçanti se procedura e shqyrtimit të kërkesave për azil në kufi është reformuar në mënyrë thelbësore nëpërmjet ligjit nr. 2003-1176 të datës 10 dhjetor 2003, kështu që duhet bërë krahasim midis përqindjes prej 9,3% të pranimit të azilkërkuesve në kufi më 2004 dhe asaj të lartpërmendur prej 22,2% në vitin 2005. Për sa i përket kohëzgjatjes së shqyrtimit të kërkesave për azil në kufi, kjo u shpjeguaka me afatet ligjore të mbajtjes në zonë pritjeje. Ajo thekson përveç kësaj se ANAFÉ-ja ka gjetur vetëm gjashtë raste mendimesh negativ të shprehura në kufi, që janë hedhur poshtë më vonë nëpërmjet pranimit sipas statusit të refugjatit midis viteve 1999 e 2005. Sipas saj, është gjithsesi e vështirë të hiqet një paralele ndërmjet procedurës për kërkim azili në kufi dhe asaj brenda territorit francez, përderisa fjala është për marrje vendimi mbi bazë dosjesh të ndryshme. Ajo vë në dukje se nuk disponon statistika të përpikta rreth kësaj pike, por saktëson se më 2005 OFPRA ka dhënë 2 278 mendime në suazë të procedurës për kërkim azili në kufi.
B. Vërejtjet e ANAFÉ-së, palë e tretë ndërhyrëse
49. Vërejtjet e ANAFÉ-së – organizatë joqeveritare që ka si objekt t’u japë ndihmë juridike dhe humanitare të huajve që ndodhen në vështirësi në kufijtë francezë – kanë të bëjnë me situatën e azilkërkuesve në kufi. ANAFÉ-ja thekson në radhë të parë se ajo ka marrë dijeni për disa raste të huajsh që kanë pasur vështirësi serioze për të regjistruar kërkesën e tyre për pranim në Francë si azilkërkues (gjashtëmbëdhjetë më 2006): disa mund të qëndrojnë me ditë në “zonë ndërkombëtare”, pa ushqim e duke fjetur në karrige, përpara se policia e ajrit dhe e kufijve të pranojë të marrë parasysh kërkesën e tyre dhe t’u lejojë të futen në “zonë pritjeje”.
ANAFÉ-ja vë në dukje përveç kësaj vështirësitë e komunikimit që hasin azilkërkuesit në kufi në kuadër të procedurës për pranim, të cilat vijnë për shkak të mediokritetit e papërshtatshmërisë së përkthimit të siguruar.
ANAFÉ-ja komenton më tej shifrat lidhur me kërkesat për azil në kufi, të botuara nga OFPRA-ja: në krahasim me vitet e mëparshme, numri i kërkesave për azil në kufi është ulur me 57% më 2004 dhe me 9,4% më 2005; 7,7% e azilkërkuesve janë pranuar të futen në territor më 2004, 22,2% më 2005. Sipas saj, kjo ulje e numrit të azilkërkuesve në kufi vjen si rezultat i mjeteve që ka vënë në veprim Qeveria për t’i penguar të huajt të vijnë në Francë (në shkelje të Konventës së Gjenevës kur bëhet fjalë për refugjatë). Ndër këto mjete, ajo përmend zhvillimin e sistemit të vizave për transit aeroportual (të cilit i nënshtrohen sot shtetasit e nja tridhjetë vendeve), sanksionet e rënda të vendosura kundër transportuesve dhe kontrollet e kryera në portat e avionëve (ndodhka jo rrallë që personat e kontrolluar në këtë mënyrë të prapësohen, pa pasur rast që të regjistrojnë një kërkesë për azil).
ANAFÉ-ja shton se, më 2005, sipas të dhënave të përcjella nga Ministria e Brendshme, 89% e kërkesave për azil në kufi janë shqyrtuar brenda më pak se katër ditësh pas regjistrimit të tyre, ku në shqyrtim përfshihen marrja në pyetje dhe formulimi i një mendimi nga ana e një përfaqësuesi të OFPRA-së, pastaj një vendim i Ministrisë së Brendshme (i cili përgjithësisht e ndjek atë mendim). Ajo thekson se azilkërkuesit shpeshherë nuk i kanë ato dokumente që duhen për të plotësuar dosjen e tyre dhe se kjo shpejtësi lë pak mundësi për të grumbulluar shkresat e nevojshme. Ajo denoncon sidomos faktin se, në kuadër të përcaktimit të karakterit “haptazi të pathemeltë” ose jo të kërkesave, administrata kryen një shqyrtim në themel të tyre, ndërkohë që do të ishte dashur vetëm të verifikohet shkurtimisht nëse arsyet e përmendura nga azilkërkuesit i përgjigjen një nevoje për mbrojtje, me qëllim që të mënjanohen personat që dëshirojnë të vijnë në Francë për një arsye tjetër (punë, ribashkim familjar, etj.) duke iu shmangur procedurës së lëshimit të vizave. Në këtë mënyrë, ajo ua heq atyre garancitë e procedurës së kërkesës për azil pas pranimit brenda territorit (vendim i OFPRA-së – e cila i ka mjetet e duhura për të kryer kërkimet dhe hetimet e domosdoshme – që merret pas një shqyrtimi të plotë të kërkesës dhe që mund të bëhet objekt i një rekursi pezullues). Rastet e azilkërkuesve kërkesa e të cilëve është gjykuar si “haptazi e pathemeltë” në kufi, por që kanë mundur të futen në territor nëpërmjet një rruge tjetër dhe të cilëve u është njohur më pas cilësia e refugjatit, nuk qenkan të rralla. Në mbështetje të këtij pohimi, ANAFÉ-ja jep me hollësi rastin e gjashtë personave që janë gjendur në këtë situatë më 2004 ose 2005 (disa prej të cilëve ishin sanksionuar ndërkohë penalisht ngaqë kishin refuzuar t’i bindeshin largimit të tyre) dhe paraqet një vërtetim nga sekretari i përgjithshëm i Cimade-s – një organizatë joqeveritare ekumenike ndihme të ndërsjellë, e pranishme në qendrat e ndalimit administrativ – i cili mban datën 19 prill 2006.
50. Nga ana tjetër, ANAFÉ-ja paraqet një “Raport rreth procedurës për pranimin në territor si azilkërkues” të hartuar nën kujdesin e saj, i cili mban datën 25 nëntor 2003 dhe titullohet “Ruleta ruse e azilit në kufi – zona e pritjes: kush e mënjanon procedurën?”, ku ajo shpreh “shqetësimet” e saj lidhur me procedurën e azilit në kufi. Ajo thekson në veçanti se një përgjigje negative e administratës është “e paapelueshme” përderisa, në mungesë të një rekursi pezullues, azilkërkuesi mund të kthehet drejt vendit nga ka ardhur vetëm mbi bazën e këtij refuzimi. Sipas saj:
“ (...) Ky filtrim i praktikuar në kufi për mijëra persona çdo vit, jashtë çdo kontrolli të efektshëm nga gjyqtarët administrativë, ka privilegjuar përherë kontrollin e flukseve të migrimit në dëm të mbrojtjes së refugjatëve. Por, që prej më shumë se një viti, makina administrative ka luajtur mendsh dhe qindra azilkërkues prapësohen, nganjëherë me avionë me qira të organizuar nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që ata kishin arsye serioze të druheshin se mos persekutoheshin nga ana e autoriteteve të vendit nga e kanë prejardhjen apo ndonjëherë edhe të vetë atij ku kanë qëndruar transit për njëfarë kohe. Nëse nuk prapësohen, disa të tjerë dënohen me burgim vetëm për faktin se nuk kanë pranuar të zbatojnë një vendim ligjshmëria dhe legjitimiteti i të cilit janë më se të diskutueshëm. Që prej pesëmbëdhjetë vjetësh, ANAFÉ-ja (...) përpiqet t’u vijë në ndihmë këtyre anijembyturve të së drejtës për strehim. Ajo vetëm sa ka mundur të konstatojë shmangien e praktikave administrative drejt një ashpërsie gjithnjë e më të madhe, duke e kthyer në një pasuri jetëshkurtër të drejtën kushtetuese për të kërkuar azil (...)”
Në këtë raport, ANAFÉ-ja vëren një rënie të madhe të pranimit të azilkërkuesve brenda territorit (nga 60% më 1995, përqindja e pranimit ka kaluar në 20% më 2001 e 2002, 18,8% në nëntor 2002, dhe 3,4% në mars 2003), për të cilën ajo ia vë fajin një zgjedhjeje të bërë me dashje nga ana e autoriteteve. Nga analiza e një vargu vendimesh për moslejim hyrjeje brenda territorit të dhëna gjatë vitit 2003, ajo nxjerr përfundimin se kjo ka ardhur si pasojë e një “shmangieje të rrezikshme” të administratës në mënyrën si ajo e zbaton nocionin “haptazi i pathemeltë” në kuptimin e nenit L. 221-1 të Kodit të Hyrjes dhe të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim: arsyet të cilave u është përmbajtur administrata qenkan “shumë larg caqeve që cakton një shqyrtim stricto sensu i karakterit “haptazi të pathemeltë” të kërkesave dhe përmba[jtka] argumentime përherë e më të papranueshme në përpjekje që të përligjë rrëzimin e kërkesave për azil”. Sipas ANAFÉ-së, nga jurisprudenca (ajo i referohet për këtë një vendimi të Këshillit Kushtetues të datës 25 shkurt 1992 – DC 92 307 – një vendimi asambleje të Këshillit të Shtetit të datës 18 dhjetor 1996 – Rogers, shih Revue française de droit administrativ, 1997-2, f. 281 – dhe një vendimi të Gjykatës Administrative të Parisit të datës 5 maj 2005 – Avila Martinez k. Ministrisë së Brendshme) del “se ky shqyrtim duhet të kufizohet në një vlerësim sipërfaqësor që synon të shmangë vetëm ato kërkesa të cilat dukshëm nuk kanë të bëjnë me të drejtën për azil, duke ia lënë kështu pushtetin e vlerësimit dhe të verifikimit OFPRA-së”; “praktika [qenka] shumë larg kësaj teorie dhe jurisprudencës”.
51. ANAFÉ-ja vë në dukje se, më 5 mars 2004, ajo ka nënshkruar me Ministrinë e Brendshme një konventë (të ripërtërirë më pas) që i ka lejuar t’u japë, për një periudhë eksperimentale gjashtëmujore, një ndihmë të vazhdueshme të huajve që nuk pranohen në territorin francez e mbahen në zonë pritjeje në aeroportin e Ruasisë. Ajo paraqet një dokument me titull “Kufiri dhe e drejta: zona e pritjes e Ruasisë nën vështrimin e ANAFÉ-së”, i cili bën një bilanc të hollësishëm të kësaj përvoje në terren. Përveç vështirësive të paraqitura më sipër, ky dokument denoncon “një politikë që duket krejtësisht e orientuar drejt një qëllimi që synon rritje të sigurisë e të kontrollit të kufijve, në dëm të respektimit të së drejtave të personit, sidomos të së drejtës për azil, por edhe të së drejtës për të mos qenë objekt trajtimesh çnjerëzore ose poshtëruese apo edhe të së drejtave të posaçme që u takojnë të miturve”, si edhe një “praktikë refuzimi pothuajse sistematik të pranimit në cilësinë e azilit, në kundërshtim me Konventën e Gjenevës”; sipas ANAFÉ-së, “procedura e azilit në kufi përfshihet në një logjikë të përforcuar mospranimi dhe u kundërvihet personave që kërkojnë mbrojtje”.
52. Së fundi, ANAFÉ-ja paraqet përfundimet dhe rekomandimet e Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës lidhur me Francën, të datës 3 prill 2006 (të miratuara më 24 nëntor 2006; dokumenti CAT/C/FRA/CO/3). Nën titujt e nëntitujt “Çështje shqetësuese dhe rekomandime” e “Mosprapësimi”, Komiteti shprehet “i shqetësuar nga karakteri i nxituar i procedurës së ashtuquajtur përparësore, lidhur me shqyrtimin e kërkesave [për azil] të dorëzuara në qendrat e ndalimit administrativ ose në kufij, e cila nuk lejon një vlerësim të rreziqeve në përputhje me nenin 3 të Konventës [kundër Torturës dhe Dënimeve a Trajtimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese]” (“1. Asnjë shtet palë nuk do të dëbojë, nuk do të prapësojë, e as nuk do të ekstradojë një person në një shtet tjetër ku ka arsye serioze për të besuar sa ai rrezikon t’i nënshtrohet torturës. (...)”). Pika 7 e këtij raporti shprehet me këto fjalë:
“7. Duke shënuar se, pas hyrjes në fuqi të ligjit të 30 qershorit 2000, vendimi i prapësimit (“mospranimit”) të një personi mund të bëhet objekt gjykimi të shkurtuar për pezullim (“référé-suspension”)ose gjykimi të shkurtuar për lëshim urdhri në mbrojtje të një interesi a të një lirie themelore (“référé-injonction”), Komiteti shqetësohet për karakterin jo pezullues të këtyre procedurave, duke pasur parasysh faktin se “vendimi që shpall refuzimin e hyrjes mund të zbatohet nga administrata me nismën e vet” gjatë kohës midis paraqitjes së rekursit dhe vendimit të gjyqtarit lidhur me pezullimin e masës së largimit. (Neni 3)
Komiteti përsërit rekomandimin e tij (A/53/44, par. 145) që një vendim prapësimi (“mospranimi”) që sjell një masë largimi të mund të jetë objekt rekursi pezullues, i cili duhet të jetë efektiv qysh në çastin kur dorëzohet. Komiteti rekomandon gjithashtu që shteti palë të marrë masat e nevojshme për t’u siguruar që personat subjekt për një masë largimi të mund t’i përdorin të gjitha rrugët ekzistuese për rekurs, duke përfshirë edhe mundësinë për t’iu drejtuar Komitetit kundër Torturës nëpërmjet nenit 22 të Konventës.”
ANAFÉ-ja shton se Komisioni Kombëtar Konsultativ i të Drejtave të Njeriut ka miratuar një rekomandim sipas të cilit “ndaj çdo moslejimi për hyrje në territor, që sjell një masë prapësimi të azilkërkuesit, duhet të jetë e mundur të bëhet një rekurs pezullues përpara juridiksionit administrativ brenda një afati të arsyeshëm”.
C. Vlerësimi i Gjykatës
53. Gjykata rikujton në radhë të parë parimet e përgjithshme që dalin nga jurisprudenca e saj.
Neni 13 i Konventës garanton që në të drejtën e brendshme të ekzistojë një rekurs i cili lejon të përfitohet nga të drejtat dhe liritë e Konventës ashtu siç mund të gjenden ato të sanksionuara aty. Kjo dispozitë ka pra si pasojë kërkesën për një rekurs të brendshëm i cili e jep zotësinë për të shqyrtuar përmbajtjen e një “ankimi të pranueshëm” të mbështetur te Konventa dhe për të ofruar zhdëmtimin e duhur. Rëndësia e detyrimit që neni 13 u ngarkon shteteve palë ndryshon në funksion të natyrës së ankimit të paditësit. Gjithsesi, rekursi i kërkuar nga neni 13 duhet të jetë “efektiv” si në praktikë ashtu edhe sipas ligjit. “Efektiviteti” i një “rekursi”, në kuptimin e nenit 13, nuk varet nga siguria e një përfundimi në favor të paditësit. Po ashtu, “instanca” për të cilën bën fjalë kjo dispozitë nuk është nevoja të jetë një institucion gjyqësor, por megjithatë pushtetet dhe garancitë që paraqet ajo merren parasysh për të vlerësuar efektivitetin e rekursit që ushtrohet pranë saj. Përveç kësaj, tërësia e rekurseve të ofruara nga e drejta e brendshme mund t’i plotësojë kërkesat e nenit 13, edhe sikur asnjë prej tyre të mos i përgjigjet atij i marrë më vete (shih, mes shumë të tjerësh, vendimin Čonka të cituar më lart, § 75).
54. Më tej, Gjykata vë në dukje se, në të drejtën e brendshme, një vendim mospranimi në territor, si ai i marrë në rastin e çështjes së paditësit, përbën pengesë për dorëzimin e një kërkese për azil; ai është për më tepër ekzekutiv, kështu që i interesuari mund të prapësohet menjëherë drejt vendit nga i cili thotë se ka ikur. Megjithatë, në rastin e çështjes në fjalë, si pasojë e zbatimit të nenit 39 të Rregullores, paditësi është pranuar më në fund në territor. Për rrjedhojë, ai ka mundur ta dorëzojë një kërkesë për azil përpara OFPRA-së, e cila ia ka njohur cilësinë si refugjat më 7 nëntor 2005. Meqenëse neni 33 i Konventës së Gjenevës të 28 korrikut 1951 për statusin e refugjatëve ishte bërë tashmë pengesë për dëbimin e paditësit drejt vendit nga e kishte prejardhjen, Gjykata, në vendimin e saj lidhur me pranueshmërinë të 10 tetorit 2006 (§ 36), nxori përfundimin se ai e kishte bjerrë cilësinë si viktimë e shkeljes së pretenduar të nenit 3. Nga ky përfundim rreth ankesës së nxjerrë nga neni 3, Gjykata nxori se në çështjen në fjalë “shtrohet pyetja se sa mund të gjejë zbatim neni 13 i marrë në bashkim me këtë dispozitë”, një pyetje të cilën ajo e ka bashkuar me thelbin (shih vendimin për pranueshmërinë, § 49).
55. Lidhur me këtë pikë të fundit, Qeveria mbron idenë se, që prej 7 nëntorit 2005 (datë kur e fitoi statusin e refugjatit), paditësi nuk ka qenë më i ekspozuar ndaj ndonjë rreziku për t’u dëbuar, kështu që ankesa e nxjerrë nga neni 3 nuk është më “e pranueshme” dhe neni 13 nuk mund të bashkohet pra më me atë dispozitë.
Gjykata nuk ndan të njëjtën pikëpamje. Ajo rikujton që, në vendimin e saj rreth pranueshmërisë (§ 49), ajo ka gjykuar se teza e zhvilluar nga paditësi rreth një rreziku keqtrajtimi në Eritre kishte një shkallë të mjaftueshme besueshmërie për të konsideruar se në këndvështrimin e nenit 3 shtrohej një çështje serioze. Nga kjo mund të dilet në përfundim se ankesa e nxjerrë nga neni 3 është “e pranueshme”, kështu që paditësi e ka në parim mundësinë që t’i referohet kësaj dispozite në bashkim me nenin 13 (përveç vendimit Rotaru k. Rumanisë [DhM], nr. 28341/95, § 67, GjEDNj 2000‑V, të cituar në vendimin rreth pranueshmërisë, dhe vendimit Čonka të cituar më lart, §§ 75-76, shih, për shembull, vendimin Chamaïev me të tjerë k. Gjeorgjisë dhe Rusisë, nr. 36378/02, §§ 444-445, GjEDNj 2005-III). Në fund të fundit, fakti që OFPRA-ja ia ka njohur më pas paditësit cilësinë si refugjat jo vetëm që nuk e vë në dyshim karakterin e pranueshëm të ankesës së lartpërmendur, por e vërteton atë, ashtu si edhe shënimi i zëvendësshefit të Degës së Çështjeve Juridike dhe Ndërkombëtare të kësaj zyre, i cili saktëson se “në të njëjtën kohë, Zyra vlerësonte, duke pasur parasysh ndër të tjera kushtet çnjerëzore të burgimit të pësuar tashmë në vendin nga e ka prejardhjen, se një kthim në Eritre do ta vinte në rrezik për përndjekje në kuptimin e Konventës së [Gjenevës]” (paragrafi 20 i mësipërm).
56. Gjykata është aq më pak e bindur nga teza e Qeverisë sipas së cilës, meqenëse neni 13 është i pandashëm nga nenet e Konventës me të cilët bashkohet, paditësi nuk mund ta quajë më veten viktimë e një shkeljeje të nenit 13 të bashkuar me nenin 3, përderisa ai nuk është më viktimë e shkeljes së pretenduar të kësaj dispozite të fundit.
Nga njëra anë, shkelja e pretenduar në këtë drejtim (lidhur me të metat e procedurës së caktuar për individët që, në kufi, sjellin si argument një rrezik për trajtime të ndaluara nga neni 3 dhe kërkojnë të hyjnë brenda territorit me qëllim që të dorëzojnë një kërkesë për azil) ishte “konsumuar” në çastin kur rreziku i kthimit drejt Eritresë ishte hequr (rreth rëndësisë së këtij elementi, shih, mutatis mutandis, vendimin Shoqata SOS Atentate dhe de Boëry k. Francës (vend. pran.) [DhM], nr. 76642/01, § 34, GjEDNj 2006-XIV). Në fakt, paditësi e ka fituar statusin e refugjatit më 7 nëntor 2005, pra shumë më vonë se vendimi i fundit i dhënë nga juridiksionet e brendshme në vijim të rekursit që ai ka ushtruar dhe të cilin ai e denoncon si joefektiv përpara Gjykatës, përderisa vendimi i Këshillit të Shtetit për ta pushuar çështjen rreth kërkesës për shfuqizim të urdhëresës së gjyqtarit administrativ të ngarkuar me çështjet e ngutshme të datës 8 korrik 2005 është shpallur më 11 gusht 2005 (paragrafi 19 i mësipërm).
Nga ana tjetër, siç e ka rikujtuar Gjykata në vendimin e saj rreth pranueshmërisë së kërkesëpadisë (§ 36), në mënyrë që një vendim ose një masë në favor të paditësit të mjaftojë për t’ia hequr atij cilësinë si viktimë, duhet në parim që autoritetet kombëtare ta kenë pranuar, hapur ose në thelb, e pastaj ta kenë ndrequr atë shkelje të pretenduar të Konventës. Në rastin e çështjes në fjalë, duket sheshit se këto kushte nuk janë plotësuar lidhur me ankimin e nxjerrë nga nenet 13 e 3 të bashkuara. Duket në të vërtetë që, nëse paditësi nuk është kthyer drejt Eritresë dhe ka mundur më në fund të hyjë në territorin francez për të dorëzuar një kërkesë për azil, kjo ka ardhur për shkak të rrethanës se ambasada e Eritresë nuk ka lëshuar një lejekalim dhe të vënies në zbatim të nenit 39 të Rregullores së Gjykatës. Madje kjo e fundit vë në dukje në këtë drejtim se leja administrative për të hyrë brenda territorit dhe lejeqarkullimi, të lëshuara më 20 korrik 2005, ashtu si edhe vendimi i Këshillit të Shtetit i 11 gushtit 2005, kanë të bëjnë shprehimisht me këtë dispozitë dhe me masën e përkohshme të marrë në zbatim të saj (paragrafët 17 e 19 të mësipërm).
57. Për rrjedhojë, është me vend të vazhdohet shqyrtimi në thelb i ankesës.
58. Nga jurisprudenca del se ankesa e një personi sipas të cilës kthimi i tij drejt një vendi të tretë do ta vinte atë në rrezik për trajtime të ndaluara nga neni 3 i Konventës “duhet medoemos të bëhet objekt i një kontrolli të kujdesshëm nga një ‘instancë kombëtare’” (vendimi Chamaïev me të tjerë, i cituar më lart, § 448 ; shih gjithashtu vendimin Jabari k. Turqisë, nr. 40035/98, § 39, GjEDNj 2000‑VIII). Ky parim e ka bërë Gjykatën të gjykojë se nocioni “rekurs efektiv” në kuptimin e nenit 13 të bashkuar me nenin 3 kërkon “një shqyrtim të pavarur e të rreptë” të çfarëdo ankese të ngritur nga një person që ndodhet në një situatë të tillë, sipas të cilës “ekzistojnë arsye serioze për të besuar në praninë e një rreziku real për trajtime që janë në kundërshtim me nenin 3” dhe, nga ana tjetër, “mundësia për ta pezulluar zbatimin e masës së kundërshtuar” (vendimet e cituara më lart, përkatësisht § 460 e § 50).
Më saktësisht, në vendimin Čonka (të cituar më lart, §§ 79 e vijues), Gjykata, në terrenin e nenit 13 të bashkuar me nenin 4 të Protokollit nr. 4 (ndalim i dëbimeve kolektive të të huajve), ka gjykuar se një rekurs nuk u përgjigjet kërkesave të kësaj dispozite të parë në qoftë se nuk ka efekt pezullues, duke theksuar konkretisht si më poshtë vijon (§ 79):
“Gjykata konsideron se efektiviteti i rekurseve të kërkuara nga neni 13 supozon që ato të mund ta pengojnë zbatimin e masave që bien në kundërshtim me Konventën dhe pasojat e të cilave janë potencialisht të pakthyeshme (shih, mutatis mutandis, Jabari, të cituar më lart, § 50). Për rrjedhojë, neni 13 e kundërshton zbatimin e masave të tilla para se të ketë përfunduar shqyrtimi nga autoritetet kombëtare i përputhshmërisë së tyre me Konventën. Megjithatë, shtetet palë gëzojnë njëfarë hapësire vlerësimi lidhur me mënyrën si t’u përmbahen detyrimeve që u cakton neni 13 (Chahal [k. Mbretërisë së Bashkuar, 15 nëntor 1996], § 145, [Recueil des arrêts et décisions 1996-V]).”
Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushton Gjykata nenit 3 të Konventës dhe natyrën e pakthyeshme të dëmit që mund të shkaktohet në rast se realizohet rreziku i torturës ose i keqtrajtimeve, kjo vlen sigurisht për rastin kur një shtet palë vendos ta prapësojë një të huaj drejt një vendi ku ka arsye serioze të besohet se ai do të ishte në një rrezik të kësaj natyre.
Gjykata vë re madje se domosdoshmëria që personat e ekspozuar ndaj një rreziku të tillë të kenë mundësi për një rekurs pezullues kundër masës së largimit është vënë në dukje si nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ashtu edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe nga Komisari për të Drejtat e Njeriut (paragrafët 36-38 të mësipërm). E tillë është edhe qasja e Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës (paragrafi 52 i mësipërm) dhe e shumë OJQ-ve, ndër të cilat edhe pala e tretë në çështje. Për më tepër, kjo e fundit parashtron se, në planin e brendshëm, Komisioni Kombëtar Konsultativ për të Drejtat e Njeriut ka nxjerrë një rekomandim sipas të cilit “ndaj çdo moslejimi për hyrje në territor, që sjell një masë prapësimi të azilkërkuesit, duhet të jetë e mundur të bëhet një rekurs pezullues përpara juridiksionit administrativ brenda një afati të arsyeshëm” (paragrafi 52 i mësipërm).
59. Lidhur posaçërisht me azilkërkuesit që pohojnë se e kanë një rrezik të kësaj natyre, e drejta franceze krijon një procedurë që i paraqet sigurisht këto cilësi - e cila nyjëtohet përreth një shqyrtimi ballafaques të kërkesës për azil nga ana e OFPRA-së (një institucion publik), pastaj, në apel, nga Komisioni për Apelimet (organ juridiksional), dhe pamundësisë për ta prapësuar azilkërkuesin gjatë procedurës – nga e cila paditësi ka mundur të përfitojë më në fund si pasojë e zbatimit të nenit 39 të Rregullores, pasi u lejua të hyjë në territorin francez.
Megjithatë, kjo çështje nxjerr në pah në këtë drejtim një vështirësi të veçantë, atëherë kur i interesuari paraqitet “në kufi”, për shembull teksa mbërrin në një aeroport, si në rastin e paditësit.
60. Për të dorëzuar një kërkesë për strehim pranë OFPRA-së, një i huaj duhet të ndodhet brenda territorit francez. Për rrjedhojë, nëse paraqitet në kufi, ai nuk mund ta paraqesë një kërkesë të tillë përveçse kur është lënë paraprakisht të hyjë brenda territorit. Në rast se nuk është i pajisur me dokumentet që nevojiten për këtë, atij i duhet të paraqesë një kërkesë për të hyrë në territor si azilkërkues; atëherë ai mbahet në “zonë pritjeje” gjatë kohës së nevojshme që duhet për shqyrtimin, nga ana e administratës, të karakterit “haptazi të pathemeltë” ose jo të kërkesës për azil që ai ka ndër mend të paraqesë; në qoftë se administrata e gjykon kërkesën për azil “haptazi të pathemeltë”, ajo e rrëzon kërkesën për hyrje brenda territorit të bërë prej të interesuarit dhe ky quhet automatikisht “i prapësueshëm” pa iu dhënë mundësia që t’ia drejtojë OFPRA-së kërkesën e tij për azil.
61. Mirëpo, theksojnë paditësi dhe pala e tretë në çështje, nga njëra anë, ky vlerësim i karakterit “haptazi të pathemeltë” bëhet pas një shqyrtimi të shpejtë e të përciptë të situatës së azilkërkuesit (çka e ilustruaka rasti i çështjes së fjalë); administrata ka në të vërtetë në dispozicion të saj vetëm njëzet ditë në maksimum, njëherazi, edhe për të vlerësuar karakterin “haptazi të pathemeltë” të kërkesës, edhe, nëse është rasti, për të bërë prapësimin, çka i lë pak kohë të interesuarit për të grumbulluar elemente që mund të mbështesin kërkesën e tij. (Pala e tretë në çështje thekson në veçanti se, më 2005, 89% e kërkesave janë shqyrtuar brenda më pak se katër ditësh, duke përfshirë edhe vendimin përfundimtar nga Ministria). Nga ana tjetër, administrata bën një vlerësim “të gjerë” të këtij nocioni, duke shkuar shumë përtej një vlerësimi sipërfaqësor që synon të shmangë vetëm kërkesat që dukshëm nuk kanë të bëjnë me të drejtën për azil.
Rreth kësaj pike të dytë, Qeveria vë në dukje se kriteret e zbatuara nga administrata për të gjykuar për karakterin “haptazi të pathemeltë” frymëzohen nga ato, të gjera, të nxjerra prej rezolutave të miratuara në Londër më 30 nëntor e 1 dhjetor 1992 nga ministrat e ngarkuar me imigrimin të shteteve anëtare të Komunitetit Evropian (për të cilat Këshilli i Shtetit, në një vendim të Asamblesë të datës 18 dhjetor 1996, ka theksuar megjithatë se u mungon vlera normative). Fjala është për kriteret e mëposhtme: “arsyet e përmendura ndodhen jashtë problematikës së strehimit (motive ekonomike, arsye leverdie të pastër personale...); kërkesa mbështetet në një mashtrim me paramendim (i interesuari përdor një shtetësi që dukshëm nuk është e tija, bën deklarime të rreme...); deklaratat janë të zhveshura nga çdolloj thelbi, jo të personalizuara, jo të hollësishme; i interesuari i referohet një situate të përgjithshme turbullire ose pasigurie, pa sjellë elemente të personalizuara; deklaratat përmbajnë mungesa koherence, gjëra pak të gjasshme ose kundërthënie madhore, të cilat e bëjnë aspak të besueshëm rrëfimin e tyre”.
Rasti i paditësit priret të tregojë se administrata e çmon vlerën reale të argumentimit të të interesuarve lidhur me druajtjet e tyre për përndjekje, mbi bazën e dosjes, në atë trajtë që kjo ka qenë e mundur të krijohet në “zonë pritjeje”.
62. Pala e tretë në çështje dénoncon një praktikë administrative që bie në kundërshtim me jurisprudencën e brendshme e që, në fund, e zëvendëson procedurën e kërkesës për azil me vlerësimin e administratës dhe u heq për pasojë azilkërkuesve ato garanci që ua jep atyre kjo procedurë lidhur veçanërisht me vlerësimin e rrezikut që u kanoset në rast kthimi në vendin e tyre. Ajo nënvizon se, në mungesë të çdolloj rekursi në thelb pezullues, shumë të huaj prapësohen kështu drejt vendesh ku ata kanë arsye serioze të druhen për përndjekje.
63. Në parim, formalitetet e kësaj procedure (të quajtur “procedurë e azilit në kufi”) nuk janë problematike në vështrimin e Konventës atëherë kur ai që paraqitet si azilkërkues nuk pretendon se vihet në ndonjë rrezik të cilësueshëm sipas këndvështrimit të nenit 2 ose të nenit 3 të Konventës në vendin nga e ka prejardhjen. Ato nuk do të ishin të tilla as në qoftë se personat që e përmendin një rrezik të tillë në mënyrë të pranueshme do ta kishin mundësinë që t’u sigurohet një kontroll i vendimit administrativ rreth karakterit “haptazi të pathemeltë” të kërkesës së tyre, i cili t’u përgjigjej kërkesave të rikujtuara më lart.
64. Rreth kësaj pike, Gjykata vë në dukje se të interesuarit e kanë mundësinë t’i drejtohen gjyqtarit administrativ me një kërkesë për shfuqizim të vendimit të Ministrisë për mospranimin. Një rekurs i tillë, i cili lejon pa kurrfarë dyshimi një shqyrtim në thelb “të pavarur e të rreptë” të vendimit, është megjithatë i zhveshur nga çdolloj efekti pezullues dhe nuk ka të caktuar asnjë afat.
65. Që prej hyrjes në fuqi të ligjit nr. 2000-597 të 30 qershorit 2000, ata kanë gjithashtu mundësinë t’i drejtohen gjyqtarit administrativ me një kërkesë gjykimi të shkurtuar për pezullim (“référé-suspension”, neni L. 521-1 i Kodit të Drejtësisë Administrative) ose gjykimi të shkurtuar për lëshim urdhri në mbrojtje të një interesi a të një lirie themelore (“référé-injonction”, të quajtur edhe “référé-liberté”; neni L. 521-2 i të njëjtit kod). Kjo procedurë e dytë – të cilën paditësi e ka përdorur pa sukses – i lejon gjyqtarit, në rast se nuk pret koha, të urdhërojë “të gjitha masat e domosdoshme për mbrojtjen e një lirie themelore” të cilës administrata mund t’i ketë shkaktuar “një cenim të rëndë e dukshëm të paligjshëm”. Ajo duket veçanërisht e këshillueshme në rastet për të cilat bëhet fjalë këtu, meqenëse Këshilli i Shtetit ka gjykuar se e drejta për azil ka karakterin e një lirie themelore dhe ka si pasojë të natyrshme të drejtën për të kërkuar statusin e refugjatit, i cili nënkupton se i huaji që bën lutje për t’iu njohur cilësia si refugjat duhet lejuar në parim të qëndrojë brenda territorit deri sa të jetë marrë vendim për kërkesën e tij: kur i drejtohen për gjykim të shkurtuar lidhur me një moslejim hyrjeje të një azilkërkuesi në kufi me arsyen se kërkesa është “haptazi e pathemeltë”, gjyqtari ka kompetencën ta vlerësojë këtë arsye dhe mund ta urdhërojë konkretisht administratën ta pranojë azilkërkuesin në territor (në këtë drejtim: Këshilli i Shtetit, urdhëresa e 25 marsit 2003). Gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme duhet të japë vendim brenda dyzet e tetë orësh dhe, si parim, pas një procedure ballafaquese që përfshin një seancë publike ku palët janë të ftuara, çka i lejon veçanërisht të interesuarit që t’ia paraqesë drejtpërdrejt rastin e tij gjyqtarit. Apelimi është i mundshëm përpara Këshillit të Shtetit, i cili merr vendim brenda dyzet e tetë orësh.
Azilkërkuesi që nuk pranohet në kufi ka pra në dispozicion një procedurë që paraqet a priori garanci serioze.
Gjykata vë re megjithatë se ankimi te gjyqtari i ngarkuar me çështjet e ngutshme nuk ka efekt pezullues të atypëratyshëm sipas ligjit, për pasojë ka mundësi që i interesuari, plotësisht brenda ligjit, të prapësohet përpara se të ketë dhënë vendim gjyqtari, çka kritikohet veçanërisht nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara kundër Torturës (paragrafi 52 i mësipërm).
66. Rreth kësaj pike, siç është vënë në dukje më lart, duke iu referuar në veçanti vendimeve Soering dhe Vilvarajah me të tjerë (të cituar më parë), Qeveria mbështet kryesisht mendimin se rekursi i duhur nuk ka përse të jetë automatikisht pezullues sipas ligjit: mjaftuaka që ai të ketë një efekt pezullues “në praktikë”. Mirëpo kështu ndodhka me ankimin te gjyqtari administrativ i ngarkuar me çështjet e ngutshme, sepse autoritetet nuk e zbatuakan largimin para se ky gjyqtar të ketë dhënë vendim. Paditësi përgjigjet në veçanti se nuk ka ndonjë praktikë “të përhershme” në këtë drejtim, çka konfirmohet edhe nga ANAFÉ-ja. Duke iu referuar nga ana e vet vendimit Čonka (të cituar më lart), ai shton se sidoqoftë një praktikë e tillë, e cila varet nga dëshira e mirë e njërës palë dhe mund të prapësohet kurdo, “nuk mund ta zëvendësojë garancinë procedurale themelore të një rekursi pezullues”.
Gjykata shënon se pajtohet me paditësin lidhur me përfundimet që duhen nxjerrë në këtë rast nga çështja Čonka, ku ajo ka shqyrtuar veçanërisht përputhjen me nenin 13 të Konventës të bashkuar me nenin 4 të Protokollit nr. 4, për “procedurën tejet të ngutshme” përpara Këshillit të Shtetit të Belgjikës, me të cilën ka përngjasim kërkesa për gjykim të shkurtuar përpara gjyqtarit administrativ francez për të cilën bëhet fjalë këtu. Në vendimin e saj, pasi vë në dukje mungesën e efektit pezullues të vetvetishëm të “procedurës tejet të ngutshme”, Gjykata e ka hedhur poshtë tezën e qeverisë belge sipas së cilës ky rekurs u përgjigjej prapëseprapë kërkesave të neneve të cituara më lart meqenëse ekzistonte një praktikë që ia jepte atij këtë efekt pezullues. Ajo ka nënvizuar veçanërisht lidhur me këtë pikë se “kërkesat e nenit 13, ashtu si edhe ato të dispozitave të tjera të Konventës, janë të rendit të garancisë dhe jo thjesht të dëshirës së mirë apo të ujdisë praktike[;] kjo është një nga pasojat e mbizotërimit të ligjit, një nga parimet themelore të një shoqërie demokratike, i pandashëm nga tërësia e neneve të Konventës” (§ 83). Ajo ka dalë më pas në përfundimin se ka pasur shkelje për arsyen se “(...) [kërkuesi] nuk k[ishte] asnjë garanci se Këshilli i Shtetit dhe administrata do t’i përshtateshin në të gjitha rastet praktikës së përshkruar, as a fortiori se Këshilli i Shtetit do të merrte vendim, apo se edhe do të mblidhej, para dëbimit të tij, ose se administrata do të respektonte një afat minimal të arsyeshëm” (po aty).
Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushton Gjykata nenit 3 të Konventës dhe natyrën e pakthyeshme të dëmit që mund të shkaktohet nëse realizohet rreziku i torturës ose i keqtrajtimeve, kjo vlen sigurisht edhe në rastin kur një shtet palë vendos të prapësojë një të huaj drejt një vendi ku ka arsye serioze të besohet se atij i kanosej një rrezik i kësaj natyre: neni 13 kërkon që i interesuari të ketë mundësi për një rekurs vetvetiu pezullues sipas ligjit.
67. Gjykata nxjerr nga kjo si përfundim lidhur me çështjen në fjalë se, duke mos pasur mundësi në “zonë pritjeje” për një rekurs vetvetiu pezullues sipas ligjit, paditësit i është mohuar e drejta e një “rekursi efektiv” për të përfituar nga ankimi sipas nenit 3 të Konventës. Ka pasur pra shkelje të nenit 13 të bashkuar me këtë dispozitë.
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 5 § 1 f) TË KONVENTËS
68. Paditësi ankohet se i është hequr liria në mënyrë të paligjshme në vështrim të së drejtës së brendshme. Ai i referohet nenit 5 § 1 f) të Konventës, sipas të cilit:
“Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
(...)
f) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht, me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer procedurë dëbimi ose ekstradimi.”
Ai parashtron se e drejta e brendshme e lejon mbajtjen në zonë pritjeje vetëm për një kohëzgjatje maksimale prej njëzet ditësh. Mirëpo, pasi mbërriti në aeroportin e Parisit “Sharl dë Gol” më 29 qershor 2005, ai u mbajt deri më 20 korrik 2005, ose për njëzet e dy ditë. Ai qenka mbajtur në të vërtetë në zonë ndërkombëtare dy ditët e para pas mbërritjes së tij, meqenëse policia e ajrit dhe e kufijve nuk ka pranuar disa herë që t’ia regjistrojë kërkesën për pranim si azilkërkues dhe ta lërë të hyjë në “zonë pritjeje” (paragrafi 10 i mësipërm). Për fat të keq, nuk qenka e pazakontë që të huaj të ndodhen në një situatë të tillë në kufi.
Paditësi parashtron më tej se, ndonëse neni L. 221-1 i Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim nuk e parashikon vendosjen në zonë pritjeje veçse “gjatë kohës rreptësisht të domosdoshme për largimin e tij dhe, në rast se është azilkërkues, për një shqyrtim që ka si synim të përcaktojë nëse kërkesa e tij nuk është haptazi e pathemeltë”, ai u mbajt në zonë pritjeje pas rrëzimit të kërkesës së tij për pranim nga ana e administratës për një arsye të tillë (më 6 korrik 2005). Mirëpo, që më 7 korrik 2005, ishte e qartë se organizimi i prapësimit të tij nuk mund të bëhej materialisht as drejt Eritresë, as drejt ndonjë vendi tjetër (një zgjidhje madje që autoritetet nuk e paskan pasur ndër mend), meqenëse ai nuk kishte dokument udhëtimi (ngaqë ambasada e Eritresë, në atë datë, nuk kishte pranuar ta njihte dhe të lëshonte një lejekalim) dhe sepse prejardhja e tij ishte e paditur. Edhe më keq, ai u mbajt në zonë pritjeje pas 15 korrikut 2005, datë e masës së përkohshme të këshilluar Qeverisë nga Gjykata në zbatim të nenit 39 të Rregullores së saj, ndërkohë që, duke pasur parasysh vendimin Mamatkoulov e Askarov k. Turqisë ([DhM], nr. 46827/99 dhe 46951/99, GjEDNj 2005-I), kjo masë bëhej pengesë për kthimin e tij drejt Eritresë.
69. Qeveria e kundërshton që paditësi të ketë mbërritur më 29 qershor 2005 në aeroportin e Ruasisë (paragrafi 10 i mësipërm) dhe të ketë qëndruar dy ditë në zonë ndërkombëtare. Ajo shton se gjithsesi “heqja e lirisë” në kuptimin e nenit 5 § 1 i paska filluar atij vetëm më 1 korrik 2005, datë kur ai iu është paraqitur shërbimeve të policisë kufitare. Qeveria vlerëson në fakt se qenka e udhës të mendohet se i interesuari nuk ka dashur t’u paraqitet autoriteteve në zonë ndërkombëtare ndërmjet 29 qershorit dhe 1 korrikut dhe ka qëndruar pra aty me dëshirën e vet të plotë gjatë dy ditëve që janë objekt kundërshtie; mirëpo, në mungesë të një detyrimi të ushtruar nga autoritetet, nuk paska “heqje lirie”.
Koha që paditësit i është hequr liria nuk e paska kapërcyer pra maksimumin ligjor prej njëzet ditësh. Për më tepër, ajo qenka rezultat vendimesh të marra nën kontrollin e autoritetit gjyqësor: vendimi fillestar u mor nga administrata më 1 korrik 2005 e pastaj, në përputhje me ligjin, u ripërtëri më 3 korrik, pastaj iu shty afati më 5 dhe 13 korrik nga gjyqtari i lirive i Gjykatës së shkallës së parë të Bobinjisë pas dëgjimit të të interesuarit.
Lidhur në veçanti me mbajtjen e paditësit në zonë pritjeje përtej datës 15 korrik 2005, Qeveria parashtron se rreth identitetit të paditësit mbetej një dyshim, i ushqyer nga mospranimi i ambasadores së Eritresë për ta njohur si shtetas të vendit të saj, dhe se autoritetet e kishin për detyrë të kryenin disa verifikime në këtë drejtim para se ta pranonin atë brenda territorit. Aty u gjendka arsyeja e mbajtjes së këtij të fundit në zonë pritjeje ndërmjet datave 15 dhe 20 korrik 2005. Sipas Qeverisë, një situatë e tillë nuk krijon vështirësi në vështrim të jurisprudencës Mamatkoulov e Askarov të cituar më lart, përderisa një masë e marrë në zbatim të nenit 39 të Rregullores “ka si objekt të vetëm pezullimin e zbatimit të masës së prapësimit ose të largimit në pritje të një vendimi të Gjykatës, me qëllim që të shmanget shkaktimi i ndonjë dëmi të pandreqshëm për viktimën e shkeljes së pretenduar dhe të mos dëmtohet integriteti dhe efektiviteti i vendimit përfundimtar[;] ajo nuk ka si objekt, në këtë fazë të procedurës, të vërë përsëri në pikëpyetje vetë vlefshmërinë e vendimit të mospranimit për të hyrë ose të largimit, as vlefshmërinë e heqjes së përkohshme të lirisë që rrjedh andej[;] ato që duhen “ngrirë” përkohësisht janë vetëm efektet e këtyre vendimeve, në pritje të vendimit të Gjykatës, çka do të thotë se largimi efektiv i paditësit nuk mund të realizohet përkohësisht”.
70. Gjykata vë re pikësëpari se paditësi nuk paraqet asnjë fillesë prove në mbështetje të pretendimit sipas të cilit ai paska mbërritur në aeroportin e Parisit “Sharl dë Gol” më 29 qershor 2005. Ajo shënon më tej se Qeveria, e cila e përgënjeshtron këtë version të fakteve, vë në dukje se e ka verifikuar listën e pasagjerëve të fluturimeve nga Afrika e Jugut që janë ulur në aeroportin e Ruasisë më 29 e 30 qershor si edhe më 1 korrik dhe se aty nuk ka asnjë gjurmë të ndonjë pasagjeri të quajtur Gebremedhin, Gaberamadhien ose Eider (mbiemri që, sipas paditësit, figuronte në pasaportën e huazuar prej tij; paragrafi 10 i mësipërm).
Për rrjedhojë, lidhur me këtë pikë, Gjykata mbërrin në të njëjtin përfundim me Qeverinë: elementet e dosjes nuk lejojnë të mendohet se paditësi ka mbërritur në aeroport para datës 1 korrik 2005; i vetmi dokument bindës është procesverbali i policisë së ajrit dhe të kufijve të aeroportit i hartuar në atë datë dhe ku tregohet se i interesuari u mor në pyetje në orën 11 të asaj dite.
Në këto kushte, është e udhës të quhet se “heqja e lirisë” e pësuar nga paditësi ka filluar në datën e vendosjes së tij në “zonë pritjeje”, më 1 korrik 2005. Meqenëse vërtetohet që ajo ka përfunduar më 20 korrik 2005, datë kur paditësi u lejua të depërtojë brenda territorit francez (paragrafi 17 i mësipërm), nuk mund të thuhet se ajo e ka kapërcyer maksimumin prej njëzet ditësh të parashikuar në të drejtën e brendshme.
71. Gjykata shënon më tej se paditësi nuk mbron mendimin se masa e vendosjes në zonë pritjeje, e marrë ndaj tij më 1 korrik 2005, e ka shkelur si e tillë nenin 5 § 1 të Konventës: siç e ka vënë re ajo në vendimin e saj rreth pranueshmërisë të datës 10 tetor 2006 (§ 58), ai ankohet vetëm për mbajtjen e tij në zonë pritjeje për njëfarë periudhe pas vendimit të 6 korrikut 2005 që e rrëzonte kërkesën e tij për t’u pranuar brenda territorit.
72. Për sa u përket tërë hollësive të paraqitjes së paditësit në ambasadën e Eritresë më 7 korrik 2005, Gjykata vë re se dosja nuk përmban asnjë element që të mbështesë tezën e paditësit, të përgënjeshtruar nga Qeveria, sipas së cilës ambasadorja paska refuzuar përfundimisht atë ditë të lëshojë një lejekalim (paragrafi 16 i mësipërm). Pra, nga ky pretendim nuk mund të nxirret asnjë përfundim që të ketë të bëjë me nenin 5 § 1 të Konventës.
73. Por, megjithatë, duhet marrë parasysh fakti se, më 15 korrik 2005, kryetari i dhomës së cilës i ishte caktuar fillimisht çështja ka vendosur t’i këshillojë Qeverisë, në zbatim të nenit 39 të Rregullores, se do të ishte mirë, në interesin e palëve dhe të mbarëvajtjes së procedurës përpara Gjykatës, që të mos e prapësonte paditësin drejt Eritresë deri në 30 gusht 2005 në mesnatë.
Gjykata rikujton në këtë drejtim se respektimi i masave të përkohshme që këshillohen sipas nenit 39 u diktohet shteteve palë në zbatim të detyrimeve që u takojnë atyre në vështrim të nenit 34 të Konventës (shih vendimin Mamatkoulov e Askarov të cituar më lart, §§ 99-129). Kështu, në rastin e çështjes në fjalë, nëse nuk shpërfillte detyrimet që i binin sipas Konventës, Qeveria, duke nisur nga data 15 korrik 2005, nuk mund ta prapësonte paditësin drejt Eritresë. Sigurisht, masat e porositura kështu paraqesin vetëm një karakter të përkohshëm. Por, nga njëra anë, ajo e marrë lidhur me rastin në fjalë nga kryetari i dhomës së cilës i ishte caktuar fillimisht çështja ishte e zbatueshme deri më 30 gusht 2005, pra përtej 20 korrikut 2005 (datë kur ka përfunduar vendosja e paditësit në zonë pritjeje), dhe, nga ana tjetër, ndërmjet 15 korrikut 2005 dhe kësaj date të fundit, Qeveria nuk ka kërkuar që ajo të hiqet.
74. Zbatimi i një mase të përkohshme sipas së cilës Gjykata i këshillon një shteti palë se do të ishte e mira që një individ të mos prapësohet drejt një vendi të caktuar, nuk ndikon në vetvete në faktin se sa përputhet me nenin 5 § 1 të Konventës heqja e lirisë që, nëse është rasti, ka si objekt individin e lartpërmendur.
Më veçanërisht, meqenëse zbatimi i nenit 39 të Rregullores nuk e pengon dërgimin e të interesuarit drejt një vendi të ndryshëm nga ai – sidoqoftë për aq sa bëhet e sigurt se autoritetet e këtij vendi tjetër nuk do ta nisin atë pastaj drejt vendit që ka parasysh Gjykata –, mbajtja e tij në gjendje ndalimi për një qëllim të tillë mund të përbëjë një ndalim “të ligjshëm” të një personi “kundër të cilit është duke u kryer procedurë dëbimi ose ekstradimi” në kuptimin e nenit 5 § 1 f) të Konventës.
Nga ana tjetër, kur, si pasojë e vënies në zbatim të nenit 39 të Rregullores, autoritetet e shtetit palë në fjalë nuk kanë rrugëdalje tjetër përveç se të bëjnë ndër mend që t’i japin fund heqjes së lirisë objekt i së cilës ishte i interesuari me qëllim të “dëbimit” të tij dhe kjo nënkupton që ai të pranohet brenda territorit, mbajtja e tij në gjendje ndalimi gjatë kohës rreptësisht të domosdoshme për verifikimet që u japin atyre siguri për ligjshmërinë e kësaj hyrjeje mund të përbëjë “ndalim të ligjshëm, me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend” në kuptimin e nenit 5 § 1 f) të Konventës. Madje nuk përjashtohet dot që verifikime të tilla të mëvonshme të mund t’i shpien autoritetet në zbulimin e disa elementeve – për shembull, lidhur me identitetin e të interesuarit – që mund ta përligjin që Gjykata t’i japë fund masës së përkohshme që kishte marrë në zbatim të nenit 39 të Rregullores. Por, megjithatë, si çdo heqje lirie, një mbajtje e tillë në gjendje ndalimi duhet të jetë “e ligjshme” e në përputhje me “procedurën e parashikuar me ligj” kuptimin e nenit 5 § 1: ajo duhet të jetë jo vetëm rreptësisht brenda kuadrit ligjor, sidomos për sa i përket kohëzgjatjes – e cila nuk duhet të jetë e paarsyeshme – por edhe në pajtim me qëllimin e nenit 5: mbrojtjen e individit nga arbitrariteti (shih, për shembull, vendimin Amuur k. Francës të 25 qershorit 1996, § 50, Recueil des arrêts et décisions 1996-III)
75. Në rastin e çështjes në fjalë, Gjykata vë re se vendimi i 6 korrikut 2005, që e rrëzon kërkesën e bërë nga paditësi për të hyrë brenda territorit, nuk porosiste prapësimin e tij vetëm drejt Eritresë, por edhe, “në rast nevoje, drejt cilitdo vendi ku ai do të jetë ligjërisht i pranueshëm” (paragrafi 13 i mësipërm). Mbajtja e të interesuarit në zonë pritjeje ndërmjet 15 dhe 20 korrikut 2005, me qëllim të nisjes së tij drejt një vendi të ndryshëm nga Eritreja ku ai mund të pranohej, do të mund të përbënte një heqje lirie për qëllim të “largimit” të tij, në përputhje me nenin L. 221-1 të Kodit të Hyrjes dhe të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim (shih vendimin rreth pranueshmërisë të 10 tetorit 2006, § 55), dhe në suazën e një “procedure dëbimi” në kuptimin e nenit 5 § 1 f) të Konventës.
Por Qeveria nuk thotë se ky ishte objekti i heqjes së lirisë të pësuar prej paditësit pas datës 15 korrik 2005. Duke nënvizuar se ai ishte i bazuar ligjërisht tek urdhëresat e gjyqtarit të lirive dhe të ndalimit, ajo saktëson se, për t’iu përmbajtur masës së marrë nga Gjykata në zbatim të nenit 39, autoritetet “duhej (...) të parashikonin ta pranonin Z. Gebremedhin brenda territorit dhe ta linin atë në regjim lirie të plotë”, por se, meqenëse mbetej një dyshim lidhur me identitetin e këtij të fundit, ato u gjendën të detyruara të kryenin verifikime, në mënyrë që ta kufizonin rrezikun që ai të mos mund të lokalizohej dot më sapo të lejohej të depërtonte renda territorit francez dhe të mbetej aty në mënyrë të paligjshme. Sipas Qeverisë, autoritetet vepronin kështu në kuadër të së Drejtës sovrane të shteteve palë për të kontrolluar hyrjen, qëndrimin dhe largimin e joshtetasve, të cilën ua njeh jurisprudenca e Gjykatës.
Gjykata bindet nga këto shpjegime. Ajo vë re në fakt se autoritetet e brendshme kanë ndjekur rreptësisht procedurat e parashikuara me ligj. Nga njëra anë, në përputhje me të drejtën e brendshme (nenet L. 221-3, L. 222-1 e L. 222-2 të Kodit të Hyrjes e të Qëndrimit të të Huajve dhe të së Drejtës për Strehim; paragrafi 29 i mësipërm), vendimi fillestar për vendosje të paditësit në zonë pritjeje i 1 korrikut 2005 është ripërtërirë pas dyzet e tetë orësh për një kohë të barasvlershme nga autoriteti administrativ kompetent, pastaj nga gjyqtari i lirive dhe i ndalimit i Gjykatës së shkallës së parë të Bobinjisë, herën e parë më 5 korrik 2005 për tetë ditë dhe herën e dytë më 13 korrik 2005, po ashtu për tetë ditë (paragrafi 18 i mësipërm). Nga ana tjetër, që ditën e njëzetë pas vendosjes së tij në zonë pritjeje, paditësit iu lejua të depërtojë brenda territorit francez dhe iu dha një lejeqarkullim (paragrafi 17 i mësipërm), çka i dha fund heqjes së lirisë ndaj tij. Kështu, jo vetëm që koha e përgjithshme e ndalimit të pësuar prej tij nuk e ka kapërcyer maksimumin prej njëzet ditësh, por, për më tepër, edhe mbajtja e tij në zonë pritjeje nga 15 deri më 20 korrik 2005 mbështetej në një vendim juridiksioni: në urdhëresën e gjyqtarit të lirive e të ndalimit të datës 13 korrik 2005. Madje, përderisa paditësi, sipas vetë thënieve të tij, nuk ishte i pajisur me kurrfarë dokumenti udhëtimi, Gjykata nuk sheh ndonjë arsye për ta vënë në dyshim sinqeritetin e Qeverisë teksa ajo pohon se pranimi i paditësit brenda territorit e bënte të nevojshme që autoritetet të kryenin paraprakisht disa verifikime lidhur me identitetin e tij. Së fundi, Gjykata vlerëson se, në rrethanat e kësaj çështjeje, koha e mbajtjes së paditësit në zonë pritjeje për këtë qëllim nuk e ka kapërcyer cakun e të arsyeshmes.
Për rrjedhojë, asgjë nuk lejon që të mendohet se ndërmjet 15 dhe 20 korrikut 2005 paditësit i është hequr liria arbitrarisht.
Si përfundim, Gjykata e pranon se mbajtja e paditësit në zonë pritjeje pas 15 korrikut 2005 përbënte një “ndalim të ligjshëm” të një personi, “me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend” në kuptimin e paragrafit f) të nenit 5 § 1 të Konventës. Pra, nuk ka pasur shkelje të kësaj dispozite.
III. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
76. Sipas nenit 41 të Konventës,
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
77. Paditësi ka kërkuar 30 000 euro (EUR) për dëmin moral.
78. Qeveria e ka gjykuar këtë kërkesë të tepruar. Ajo ka propozuar një pagesë prej 3 000 EUR për dëmin që i është shkaktuar paditësit për shkak të mbajtjes së tij në zonë pritjeje, në qoftë se Gjykata do të shihte se ka një shkelje.
79. Gjykata rikujton se ajo ka dalë në përfundimin që ka pasur shkelje vetëm të neneve 13 dhe 3 të Konventës, të bashkuara, për arsyen se, duke mos pasur mundësi në “zonë pritjeje” për një rekurs automatikisht pezullues sipas ligjit, paditësit i është mohuar e drejta e një “rekursi efektiv” për të përfituar nga ankimi sipas nenit 3 të Konventës. Sado që nuk vihet në dyshim se rrethana të tilla, për vetë natyrën e tyre, shkaktojnë ankth e tension, Gjykata çmon se, në rrethanat e çështjes në fjalë, dëmi moral që mund të kërkojë si pasojë paditësi është vënë në vend mjaftueshëm përmes njohjes së shkeljes nga ana e saj.
B. Kosto dhe shpenzime
80. Paditësi ka përfituar ndihmë gjyqësore përpara Gjykatës. Avokati i tij ka deklaruar se i ka “dhënë vetë hua kostot dhe shpenzimet”, meqenëse klienti i tij nuk kishte mjete financiare. Ai ka kërkuar 18 657,60 EUR për honorarët dhe ka paraqitur një faturë shërbimi që mban datën 6 dhjetor 2006 dhe ku tregohet se kjo shumë përkon me 120 orë pune me tarifën prej 130 EUR pa taksa. Ai ka kërkuar përveç kësaj 800 EUR për kosto (kopje, telefon, shpenzime postare, etj.).
81. Qeveria i ka gjykuar këto kërkesa si të tepruara. Duke rikujtuar se kostot dhe shpenzimet që kanë pasur paditësit përpara Gjykatës mund të kompensohen vetëm kundrejt paraqitjes së dëftesave dhe në atë masë që Gjykata e gjykon si të provuar vërtetësinë, domosdoshmërinë dhe karakterin e tyre të arsyeshëm, ajo propozon shumën prej 3 500 EUR.
82. Gjykata rikujton se, në parim, një paditës mund ta fitojë një kompensim të kostove dhe shpenzimeve të tij vetëm për aq sa quhen të provuar vërtetësia, domosdoshmëria dhe karakteri i arsyeshëm i shumës së tyre. Përveç kësaj, sipas nenit 60 §§ 2 dhe 3 të Rregullores, paditësi duhet të paraqesë pretendime me shifra e të ndara sipas rubrikave dhe të shoqëruara me dëftesat përkatëse, në mungesë të së cilave dhoma mund t’i hedhë poshtë ato plotësisht ose pjesërisht (shih, ndër precedentë të tjerë, vendimin Mazelié k. Francës, nr. 5356/04, § 38, 23 tetor 2006).
Duke pasur parasysh gjendjen e paditësit fillimisht si azilkërkues e pastaj si refugjat, Gjykata nuk dyshon rreth vërtetësisë së ngushtësisë së tij financiare. Ajo vlerëson se, në këto rrethana, është me vend që paditësit t’i caktohet një shumë për huan që i ka dhënë avokati i tij nga honorarët dhe mjaftohet në këtë drejtim me faturën e shërbimit të paraqitur prej tij.
Por, megjithatë, është e udhës të merret parasysh fakti se, për çështjen në fjalë, Gjykata ka dalë në përfundimin se shkelje të Konventës ka pasur vetëm për njërin nga ankimet e shtjelluara prej paditësit, atë të nxjerrë nga nenet 13 dhe 3 të Konventës, të bashkuara. Të rikthyeshme sipas nenit 41 janë vetëm ato kosto e shpenzime të arsyeshme për sa i takon shumës së tyre dhe që janë kryer realisht e me domosdoshmëri, në përpjekje për ta vënë në vend shkeljen e lartpërmendur brenda rendit juridik të brendshëm dhe për ta bindur Gjykatën që të vërejë shkeljen. Për rrjedhojë, Gjykata e hedh poshtë kërkesën për gjithçka më tepër (shih, për shembull, vendimin I.J.L. me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 29522/95, 30056/96 e 30574/96, § 151, GjEDNj 2000-IX).
Gjithsesi, duke marrë parasysh kërkesat e avokatit të paditësit, Gjykata e gjykon të arsyeshme të japë 10 000 EUR për kosto e shpenzime, duke iu zbritur atyre 1 699,40 EUR tashmë të marra nga Këshilli i Evropës nëpërmjet ndihmës gjyqësore, pra 8 300,60 EUR.
C. Kamatëvonesat
83. Gjykata e gjykon si të përshtatshme që ta bazojë përqindjen e kamatëvonesave te përqindja e interesit të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane, të rritur me tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
1. Thotë se ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës, të bashkuar me nenin 3;
2. Thotë se nuk ka pasur shkelje të nenit 5 § 1 f) të Konventës;
3. Thotë se vërejtja e një shkeljeje jep në vetvete një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për dëmin moral që i është shkaktuar paditësit;
4. Thotë
a) se shteti i paditur duhet t’i paguajë paditësit, brenda tre muajve nga dita kur vendimi do të ketë marrë formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, 8 300,60 EUR (tetë mijë e treqind euro e gjashtëdhjetë centë) për kosto e shpenzime, plus çdo shumë që mund të duhet si vlerë tatimi;
b) se, duke nisur nga përfundimi i afatit të lartpërmendur e deri në derdhjen e tyre, këto shuma do të shtohen me një interes të thjeshtë në përqindje të barabartë me atë të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, të shtuar me tri pikë përqindjeje;
5. Hedh poshtë, njëzëri, kërkesën për çdo shtesë si shpërblim të drejtë.
I hartuar në frëngjisht, pastaj i njoftuar me shkrim më 26 prill 2007, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores.
Sally Dollé András Baka
SekretareKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy