© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E GJEORGJISË kundër RUSISË (I)
(Kërkesa nr. 13255/07)
VENDIM
(Themelet)
[Pjesë të shkëputura]
STRASBURG
3 korrik 2014
Ky vendim është përfundimtar por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
...
Në çështjen e Gjeorgjisë kundër Rusisë (I),
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Josep Casadevall, Kryetar,
Nicolas Bratza,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Corneliu Bîrsan,
Peer Lorenzen,
Elisabeth Steiner,
Khanlar Hajiyev,
Päivi Hirvelä,
Luis López Guerra,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Nona Tsotsoria,
Ann Power-Forde,
Zdravka Kalaydjieva
Vincent A. De Gaetano,
André Potocki,
Dmitry Dedov, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendëskancelar,
Pas konsultimeve me dyer të mbyllura më 13 dhe 14 qershor 2012, dhe më 26 mars 2014,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
I. HYRJE
1. Çështja filloi me anë të një kërkese nr. 13255/07) kundër Federatës Ruse të depozituar në Gjykatë në përputhje me nenin 33 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”) nga Gjeorgjia më 26 mars 2007. Qeveria gjeorgjiane (“Qeveria kërkuese”) u përfaqësua para Gjykatës nga Agjenti i saj, Z. Levan Meskhoradze. Më herët Qeveria ishte përfaqësuar respektivisht nga Agjentët e mëparshëm, Z. Besarion Bokhashvili dhe Z. David Tomadze.
2. Qeveria ruse (“Qeveria përgjegjëse”) u përfaqësua nga përfaqësuesi i saj, Z. Georgy Matyushkin. Më herët ajo ishte përfaqësuar nga përfaqësuesja e mëparshme, Znj. Veronika Milinchuk.
3. Qeveria kërkuese pretendoi që Shteti përgjegjës kishte lejuar ose kishte shkaktuar ekzistimin e një praktike administrative për arrestimin, paraburgimin dhe dëbimin kolektiv të shtetasve gjeorgjianë nga Federata Ruse në vjeshtën e vitit 2006, duke rezultuar në shkelje të neneve 3, 5, 8, 13, 14 dhe 18 të Konventës, dhe të neneve 1 dhe 2 të Protokollit Nr. 1, nenit 4 të Protokollit Nr. 4 dhe nenit 1 të Protokollit Nr. 7.
II. PROCEDURA E PRANUESHMËRISË PARA DHOMËS
4. Kërkesa iu caktua Seksionit të Pestë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës).
5. Më 13 prill 2007 Kryetari i Dhomës vendosi ta informonte Qeverinë përgjegjëse për kërkesën, duke e ftuar atë që të paraqiste deklaratë në lidhje me pranueshmërinë e ankesave. Pas shtyrjes së afatit të caktuar kohor për atë qëllim, Qeveria përgjegjëse paraqiti deklarimet e saj, me Shtojca, më 26 dhjetor 2007.
6. Më 4 janar 2008 Qeveria kërkuese u ftua të paraqiste deklarimet e saj në përgjigje të tyre. Pas shtyrjes së afatit kohor të caktuar për atë qëllim, ajo paraqiti deklarimet e saj, me Shtojca, më 5 maj 2008.
7. Qeveria përgjegjëse paraqiti vërejtje shtesë më 23 shtator 2008.
8. Gjykata shqyrtoi gjendjen e procedurave më 25 nëntor 2008 dhe vendosi të merrte parashtrime verbale nga palët në lidhje me pranueshmërinë e kërkesës. Gjithashtu, ajo vendosi t’i ftonte palët që t’i përgjigjeshin me shkrim një liste me pyetje para datës së seancës.
9. Më 18 mars 2009 palët paraqitën vërejtjet e tyre me shkrim ndaj pyetjeve të bëra nga Gjykata.
10. Më 30 qershor 2009, pas një seance rreth çështjeve të pranueshmërisë (neni 54 § 3) të mbajtur më 16 prill 2009, një Dhomë e atij Seksioni e përbërë nga gjyqtarët në vijim: Peer Lorenzen, Kryetar, Rait Maruste, Karel Jungwiert, Anatoly Kovler, Renate Jaeger, Mark Villiger dhe Nona Tsotsoria, dhe gjithashtu nga Claudia Westerdiek, Kancelare e Seksionit, e deklaroi kërkesën të pranueshme.
III. PROCEDURA NË LIDHJE ME THEMELET PARA DHOMËS SË MADHE
11. Më 15 dhjetor 2009 Dhoma ia kaloi juridiksionin Dhomës së Madhe, ku asnjëra prej palëve nuk e kundërshtoi këtë (neni 30 i Konventës dhe neni 72 i Rregullores).
12. Më 8 janar 2010 u caktua përbërja e Dhomës së Madhe në përputhje me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenin 24 të Rregullores së Gjykatës, si vijon: Jean-Paul Costa, Kryetar, Christos Rozakis, Nicolas Bratza, Peer Lorenzen, Françoise Tulkens, Josep Casadevall, Karel Jungwiert, Rait Maruste, Anatoly Kovler, Renate Jaeger, Mark Villiger, Isabelle Berro-Lefèvre, Luis López Guerra, Mirjana Lazarova Trajkovska, Nona Tsotsoria, Ann Power dhe Zdravka Kalaydjieva, gjyqtarë, dhe Michael O’Boyle, Zëvendëskancelar i Gjykatës. Më 3 nëntor 2011 mandati i Jean-Paul Costa si Kryetar i Gjykatës përfundoi. Nicolas Bratza zuri vendin e tij në atë cilësi dhe nga ajo datë mori përsipër kryesimin e Dhomës së Madhe në çështjen në fjalë (neni 9 § 2). Më 31 tetor 2012 mandati i Nicolas Bratza si Kryetar i Gjykatës përfundoi. Nga ajo datë Josep Casadevall, Zëvendëskryetar i Gjykatës, mori kryesinë e Dhomës së Madhe në çështjen në fjalë. Nicolas Bratza vazhdoi të mbante postin deri në përfundim të mandatit të tij në detyrë, në përputhje me nenin 23 § 3 të Konventës dhe nenin 24 § 4 të Rregullores së Gjykatës. Përbërja e re e Dhomës së Madhe më 26 mars 2014, data e marrjes së vendimit aktual, duket më lart në fillim të tekstit.
13. Për të sqaruar disa çështje të caktuara veçanërisht në lidhje me kushtet e arrestimit, paraburgosjes dhe dëbimit të shtetasve gjeorgjianë, Gjykata vendosi të dëgjonte prova të mëtejshme verbalisht, në përputhje me nenin 38 të Konventës dhe nenin A1 të Shtojcës së Rregullores. Ajo emëroi një delegacion prej pesë gjyqtarësh të Dhomës së Madhe të përbërë nga Josep Casadevall, Anatoly Kovler, Mark Villiger, Isabelle Berro-Lefèvre dhe Nona Tsotsoria për atë qëllim.
14. Më 28 qershor 2010 Kryetari i Dhomës së Madhe ftoi secilën palë që të paraqiste një listë dëshmitarësh (maksimumi dhjetë) të cilët ata dëshironin të dëgjoheshin nga gjyqtarët. Ai gjithashtu ftoi pesë dëshmitarë shtesë të zgjedhur nga Gjykata. Qeveria kërkuese dërgoi listën e saj të dëshmitarëve më 11 gusht 2010 dhe Qeveria përgjegjëse dërgoi listën e saj të dëshmitarëve më 14 gusht 2010.
15. Nga 31 janari deri më 4 shkurt 2011 delegacioni i gjyqtarëve të Dhomës së Madhe dëgjoi dëshmitë nga dëshmitarët me dyer të mbyllura në prani të përfaqësuesve të palëve në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
16. Delegacioni dëgjoi në total njëzet e një dëshmitarë, nëntë prej të cilëve ishin propozuar nga Qeveria kërkuese dhe dhjetë nga Qeveria përgjegjëse, dhe dy prej të cilëve ishin zgjedhur nga Gjykata.
17. Lista e dëshmitarëve që dolën para delegacionit dhe një përmbledhje e dëshmive të tyre verbale ndodhen në shtojcë të këtij vendimi. Po ashtu Kancelaria e Gjykatës ka hartuar edhe një procesverbal të plotë të dëshmive verbale të dhëna nga dëshmitarët para delegacionit dhe e ka bashkëngjitur në dosjen e lëndës.
18. Me letra të datave 28 qershor 2010 dhe 8 mars 2011, Kryetari ftoi Qeverinë përgjegjëse të paraqiste dokumente të mëtejshme për Gjykatën. Qeveria përgjegjëse iu përgjigj këtyre letrave më 14 gusht 2010 dhe më 15 prill 2011 respektivisht.
19. Më 18 korrik 2011 Kryetari ftoi palët të paraqisnin vërejtjet e tyre në lidhje me themelet e çështjes dhe procesverbalin e plotë të dëshmive verbale të dëshmitarëve që u ishte dërguar atyre paraprakisht (neni 58 § 1 dhe neni A8 § 3 i Shtojcës së Rregullores) deri më 30 nëntor 2011 më së voni. Vërejtjet e palëve arritën në Gjykatë në atë datë.
20. Në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg u mbajt një seancë në lidhje me themelet më 13 qershor 2012 (neni 58 § 2).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë kërkuese
Znj.T. Burjaliani, Zv/Ministër i Parë i Drejtësisë,
Z.L. Meskhoradze, Agjentë,
Znj.K. tskhomelidze,
Znj.M. Vashakidze
Znj.N.Abramishvili, Këshilltarë;
(b) për Qeverinë përgjegjëse
Z.G. Matyushkin, Zv/Ministër i Drejtësisë,Përfaqësues,
Znj.N. Zyabkina, Zëvendës i Parë i Përfaqësuesit,
Znj.A. Zemskova,
Znj.I. Korieva
Z.Y. Petukhov
Znj.G. Khokhrina
Znj.Y. Tsimbalova,
Z.E. Shipitsyn,Këshilltarë.
Gjykata dëgjoi deklarata nga Znj. Burjaliani dhe Z. Matyushkin.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
21. Faktet e çështjes mund të përmblidhen si vijon.
A. Shikim i përgjithshëm
22. Duke pasur parasysh të gjitha provat e paraqitura para Gjykatës, del që nga fundi i verës së vitit 2006 tensionet politike mes Federatës Ruse dhe Gjeorgjisë kishin arritur kulmin me arrestimin më 27 shtator 2006 të katër oficerëve rusë në Tbilisi dhe pezullimin nga Federata Ruse më 3 tetor 2006 të të gjitha lidhjeve ajrore, rrugore, detare, hekurudhore, postare dhe financiare me Gjeorgjinë. Dëbimi i shtetasve gjeorgjianë nga Federata Ruse po raportohej në mediat ndërkombëtare nga fundi i shtatorit 2006, dhe ato lajme në atë kohë raportoheshin nga organizata të ndryshme ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare (shih, inter alia, raportin e 22 janarit 2007 nga Komiteti Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (angl. PACE) “Tensionet aktuale mes Gjeorgjisë dhe Federatës Ruse”, AS/Mon(2006)40 rev.; raporti i tetorit 2007 nga Human Rights Watch (HRW) “Të Veçuar. Paraburgimi dhe dëbimi nga Rusia i shtetasve gjeorgjianë”, Vëllimi 19 nr. 5(D); dhe raporti i prillit 2007 nga Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (angl. FIDH) “Migrantët në Rusi”, nr. 472).
23. Është konstatuar që gjatë periudhës në fjalë (nga fundi i shtatorit 2006 deri në fund të janarit 2007) shtetas gjeorgjianë janë arrestuar, paraburgosur dhe më pas janë dëbuar nga territori i Federatës Ruse.
24. Sipas Qeverisë kërkuese, këto kanë qenë hakmarrje ndaj arrestimit të zyrtarëve rusë në Tbilisi dhe shtetasit gjeorgjianë janë dëbuar pavarësisht nga fakti nëse kanë qenë banorë të ligjshëm ose të paligjshëm në Federatën Ruse, thjesht për shkak se ishin gjeorgjianë.
25. Sipas Qeverisë përgjegjëse, ngjarjet lidhur me arrestimin e katër zyrtarëve rusë në Tbilisi nuk kanë pasur fare lidhje me faktet e cekura nga Qeveria kërkuese në kërkesën e saj. Autoritetet ruse nuk kishin marrë ndonjë masë ndëshkimore ndaj shtetasve gjeorgjianë, por thjesht kishin vazhduar të zbatonin dispozitat statusore për parandalimin e migrimit ilegal në pajtim me kriteret e Konventës dhe detyrimet ndërkombëtare të Federatës Ruse.
26. Palët paraqitën prova statistikore kundërthënëse në lidhje me numrin e shtetasve gjeorgjianë të dëbuar gjatë asaj periudhe.
27. Qeveria kërkuese parashtroi në mënyrë të veçantë që mes fundit të shtatorit 2006 dhe fundit të janarit 2007, ishin lëshuar 4,634 urdhra dëbimi kundër shtetasve gjeorgjianë, prej të cilëve 2,380 ishin paraburgosur dhe ishin dëbuar me forcë, dhe 2,254 të tjerë ishin larguar nga vendi me mjetet e tyre. Ajo saktësoi që mes tetorit 2006 dhe janarit 2007 kishte pasur një rritje të theksuar të numrit të dëbimeve të shtetasve gjeorgjianë, i cili ishte rritur nga 80 në 100 persona në muaj mes korrikut dhe shtatorit 2006 në 700 deri në 800 persona në muaj mes tetorit 2006 dhe janarit 2007. Në seancën e dëshmitarëve Z. Pataridze, Konsulli i Gjeorgjisë në Federatën Ruse në Moskë kishte marrë një numër jashtëzakonisht të madh telefonatash dhe kërkesash për ndihmë nga të afërmit e personave të paraburgosur, dhe që rreth 200 deri në 300 shtetas gjeorgjianë kishin ardhur në konsullatë çdo ditë. Ai gjithashtu tha që kishte pasur po ashtu rritje të numrit të dokumenteve të udhëtimit (të cilat ishin të nevojshme për dëbimin e shtetasve gjeorgjianë) të lëshuara gjatë asaj periudhe, ku numri ishte rritur nga një mesatare prej 10 ose 15 dokumente në ditë deri në 150 në ditë...
28. Qeveria përgjegjëse, e cila deklaroi që kishte vetëm statistika vjetore ose gjysmë-vjetore, tha që në vitin 2006 ishin lëshuar 4,022 urdhra administrativë dëbimi kundër shtetasve gjeorgjianë, që ishte një rritje prej 39.7% në krahasim me vitin 2005. Megjithatë, gjatë atij viti numri më i madh i urdhrave administrativë të dëbimit ishte lëshuar kundër shtetasve të Uzbekistanit (6,089), ndjekur nga shtetasit e Taxhikistanit (4,960) dhe shtetasit e Gjeorgjisë (4,022), të cilët, në realitet, ishin vetëm në vendin e tretë. Mes 1 tetorit 2006 dhe 1 prillit 2007, 2,862 shtetas gjeorgjianë ishin bërë objekt i urdhrave të dëbimit. Ajo gjithashtu tregoi që gjatë tetorit 2006 katër avionë çarter nga Federata Ruse kishin transportuar në total 445 shtetas gjeorgjianë nga Moska për në Tbilisi, dhe që në fund të tetorit dhe në fillim të dhjetorit 2006 dy avionë çarter nga Gjeorgjia kishin transportuar 220 shtetas gjeorgjianë nga Moska për në Tbilisi. Në seancën e dëshmitarëve Z. Shevchenko, i cili kishte qenë Zëvendëskryetar i Departamentit për Kontrollin e Imigracionit pranë Shërbimit Federal të Migracionit në kohën materiale, tha që më 6 tetor 2006 fluturimi ishte bërë me një avion mallrash nga Ministria e Situatave Emergjente (IL 76), më 10, 11 dhe 17 tetor 2006 me një avion linje (IL 62 M), dhe më 28 tetor dhe 6 dhjetor 2006 me avionë linje gjeorgjianë...
29. Për sa u përket organizatave ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare, ata pjesërisht përsëritën shifrat e paraqitura nga Qeveria kërkuese (shih, inter alia, raportin e Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës – raporti i PACE, § 56). Human Rights Watch (HRW), nga ana e vet, gjithashtu iu referua në raportin e saj një note informative të 1 nëntorit 2006 nga Shërbimi Federal i Migracionit të Federatës Ruse (raporti i HRW, fq. 37). Sipas HRW-së, ajo notë tregonte që mes 29 shtatorit dhe 1 nëntorit 2006, ishin lëshuar 2,681 urdhra administrativë dëbimi kundër shtetasve gjeorgjianë dhe që 1,194 shtetas gjeorgjianë ishin dëbuar. Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (angl. FIDH) iu referua në raportin e saj “mijëra arrestimeve [të shtetasve gjeorgjianë], qindra paraburgimeve dhe dëbimeve për në Gjeorgji” pas incidentit të 27 shtatorit 2006 (raporti i FIDH, fq. 23).
B. Ekzistenca e pretenduar e një politike dëbimi me shënjestër të posaçme drejt shtetasve gjeorgjianë
1. Udhëzimet dhe qarkoret
30. Në mbështetje të pretendimeve të saj, Qeveria kërkuese paraqiti disa dokumente të lëshuara nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme (GUVD) e Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit dhe nga Shërbimi Federal i Migracionit i Federatës Ruse. Ato i referohen dy qarkoreve: qarkorja – приказ – nr. 0215 e 30 shtatorit 2006 e lëshuar nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme e Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit, dhe qarkorja – указание – nr. 849 e 29 shtatorit 2006 e lëshuar nga Ministria e Brendshme e Federatës Ruse.
31. Këto dokumente janë si vijon:
i. Tre udhëzime të 2 dhe 3 tetorit 2006 të lëshuara nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme e Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit:
(a) Udhëzimi i parë i 2 tetorit 2006 (nr. 122721∕08), i dërguar nga Z. V. J. Piotrovskiy, Zëvendëskryetar i Drejtorisë Kryesore të Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit, Gjeneral Major i Policisë në kohën materiale, drejtuar kryetarëve të divizioneve të drejtorisë, titullohet “rritja e efektivitetit të zbatimit të qarkores së GUVD nr. 0215 datë 30.09.2006 (§§ 6.1, 6.2 dhe 7)” dhe urdhëron që
“1. nga 2.10. – 4.10.2006 dhe në bashkëpunim me drejtoritë territoriale të Shërbimit Federal të Migracionit për Shën Peterburgun dhe Rajonin e Leningradit, përfshirë stafin e të gjitha njësive, të merren masa në shkallë të gjerë për të identifikuar sa më shumë qytetarë (граждане) të Republikës së Gjeorgjisë që është e mundur të cilët banojnë në mënyrë të paligjshme në territorin rus dhe për t’i deportuar ata”;
“2. të “nisen” (Инициировать) vendime para gjykatave në çështjet e shkeljeve të rregullave që qeverisin qëndrimin e shtetasve të huaj duke deportuar vetëm kategorinë e lartpërmendur të shtetasve duke i vendosur ata në paraburgim në një qendër pranimi dhe mbajtjeje pranë Drejtorisë Kryesore të Punëve të Brendshme (GUVD). Zbatimi i këtyre masave është i miratuar nga Drejtoria e Shërbimit Federal të Migracionit për Shën Peterburgun dhe Rajonin e Leningradit (UFMS) dhe marrja e vendimeve është e koordinuar me Gjykatën e Qytetit të Shën Peterburgut dhe Gjykatën Rajonale të Leningradit;” (udhëzimi në fjalë gjithashtu shfaqet në Shtojcën e raportit të PACE dhe raportit të HRW, dhe përmendet në raportin e FIDH, fq. 26 (b) in fine).
(b) Udhëzimi i dytë i 2 tetorit 2006 (nr. 122721∕13) dhe i treti (nr. 122721∕17) i datës 3 tetor 2006 e plotësojnë të parin. I dyti, i dërguar nga Z. S.N. Storozhenko, kryetar i një divizioni të Drejtorisë Kryesore të Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit në kohën materiale, drejtuar shefave të departamenteve të policive të qarkut për luftimin e krimit ekonomik dhe të Departamentit të Transportit të Shën Peterburgut, gjithashtu i referohet qarkores nr. 0215. I treti, dërguar nga Z. V.D. Kudriavtsev, Zv/Shef i Policisë së Shën Peterburgut dhe i Rajonit të Leningradit në kohën materiale, drejtuar shefave të departamenteve të policisë të qarkut, urdhëron autoritetet përkatëse që të paraqesin raporte ditore mbi numrin e shtetasve gjeorgjianë të arrestuar për “vepra administrative ... dhe shkelje të rregulloreve të regjistrimit të adresës së banimit”;
ii. Një urdhër i datës 2 tetor 2006 (nr. 122721∕11) nga Z. Kudriavtsev, Zv/Shef i Policisë së Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit në kohën materiale, që i referohet zbatimit të paragrafit 3 të qarkores nr. 0215;
iii. Një notë informative e datës 18 tetor 2006 lëshuar nga Shërbimi Federal i Migracionit që zbaton qarkoren nr. 849 të 29 shtatorit 2006 të Ministrisë së Brendshme të Federatës Ruse ku tregohen masat e marra për forcimin e mbikëqyrjes së ligjshmërisë së qëndrimit të shtetasve gjeorgjianë në Federatën Ruse: kontrollet tek punëdhënësit që punësojnë shtetas gjeorgjianë, kontrolle tek shtetasit gjeorgjianë që kanë kryer veprat e cekura në nenet 18.8-18.11 të Kodit të Veprave Administrative, pezullimi i lëshimit të disa dokumenteve të caktuara shtetasve gjeorgjianë (fitimi i shtetësisë ruse, dokumente regjistrimi, leje qëndrimi të përkohshme dhe të përhershme) dhe kontrolle të ligjshmërisë së dhënies së këtyre dokumenteve (nota informative gjithashtu ndodhet në Shtojcën e raportit të HRW-së).
32. Qeveria përgjegjëse parashtroi që të gjitha ato udhëzime, urdhri dhe nota informative ishin falsifikuar, dhe kontestoi përmbajtjen siç pretendohet nga Qeveria kërkuese të dy qarkoreve nr. 0215 dhe nr. 849 të cilave u referoheshin ato dokumente. Megjithatë, ajo konfirmoi ekzistencën e dy qarkoreve, por tha që ato nuk mund t’i paraqiteshin Gjykatës sepse ishin të klasifikuara “sekret shtetëror”. Në seancën e dëshmitarëve Z. Nikishkin, Zv/Shef i Departamentit Ligjor, Ministria e Brendshme, Moskë, në kohën e seancës, konfirmoi që udhëzimi i 2 tetorit 2006 (nr. 122721∕08) (shih paragrafin 31 lart) që pretendohej të ishte lëshuar nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit, ishte një dokument i falsifikuar dhe që dy qarkoret nr. 0215 dhe nr. 849 (kjo e fundit në fakt ishte telegram) ishin të klasifikuara “sekret shtetëror” dhe ato kishin të bënin me referenca ndaj grupeve të ndryshme kriminale, por jo referencë selektive ndaj shtetasve gjeorgjianë. Ato nuk mund të zbuloheshin sepse kjo ndalohej nga ligjet ruse...
33. Në raportin e tij vjetor për vitin 2006 Z. V.P. Lukin, Komisioner i të Drejtave të Njeriut pranë Federatës Ruse (Ombudspersoni Rus ose Avokati i Popullit) në kohën materiale, publikoi tekstin e plotë të udhëzimit të 2 tetorit 2006 (nr. 122721∕08), në të cilin emri i Z. V.J. Piotrovskiy paraqitet i panënshkruar. Komisioneri tha që udhëzimi i ishte dërguar atij nga aktivistët e të drejtave të njeriut të Shën Peterburgut dhe që ai ishte botuar nga shtypi lokal. Ai komentoi si vijon: “T’i themi gjërat ashtu siç janë, ky dokument pa precedent është provë që ... shumica e zyrtarëve të lartë policorë kanë bërë marrëveshje me autoritetet gjyqësore me qëllim të nxjerrjes së vendimeve gjyqësore të pajustifikuara në lidhje me persona – ende të paidentifikuar – në shkelje të procedurave të qëndrimit të përkohshëm, duke injoruar rrethanat e veçanta të secilit prej tyre dhe vetëm mbi bazën e faktit që ata ishin shtetas gjeorgjianë.” Ai vazhdoi të thoshte që ai i kishte kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të Federatës Ruse të kontrollonte nëse dokumenti ishte origjinal dhe, nëse po, “të merrte masat e duhura për të sjellë fajtorët para drejtësisë dhe për të tërhequr mbrapsht udhëzimet tejet të paligjshme që përmbaheshin në to” (Raporti vjetor i vitit 2006 i Komisionerit për të Drejtat e Njeriut pranë Federatës Ruse, pika 7 “Marrëdhëniet ndëretnike dhe të drejtat e njeriut”).
34. Në përgjigjen në letrën e tij të datës 8 dhjetor 2006, Z. A.E. Buksman, Zv/Prokuror i Përgjithshëm i Federatës Ruse në kohën materiale, tha që “ishte konstatuar që autoritetet e zbatimit të ligjit të Shën Peterburgut dhe të Rajonit të Leningradit rregullisht marrin masa që synojnë zbulimin e shtetasve të huaj që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Shën Peterburg dhe në Rajonin e Leningradit. Këto masa realizohen në përputhje me rregullat e Kodit rus të Procedurës Penale, Ligji rus për “Aktivitetet Operative të Kontrollit” (Об оперативно-розыскной деятельности РФ) dhe rregulloret e departamenteve përfshirë ato që përbënin sekret shtetëror. Në vitin aktual 1,069 shtetas të huaj ishin kthyer nga Shën Peterburgu drejt vendeve të tyre; 131 prej tyre kishin pasur shtetësi gjeorgjiane. Nuk ishin konstatuar raste abuzimesh të autoritetit nga ana e zyrtarëve të departamentit të milicisë.”
35. Në raportin e tij Komisioneri përshkroi përgjigjen nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm si vijon: “sipas traditës më të mirë burokratike dokumenti nuk i dha përgjigje asnjërës prej pyetjeve të bëra nga Komisioneri. Përkundrazi, “përgjigjja” nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm përfshinte një raport të shkurtër mbi sukseset e autoriteteve të zbatimit të ligjit në Shën Peterburg dhe, duke iu referuar rregulloreve të departamentit të klasifikuara si “sekret”, konfirmoi që nuk kishte prova që punonjësit e kishin tejkaluar autoritetin e tyre. Mbetet e paqartë nëse kjo nënkupton që, si rezultat, nën-departamentet e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit nuk i kanë zbatuar direktivat dukshëm të paligjshme të eprorëve të tyre.”
2. Kërkesat e dërguara në shkolla të ndryshme dhe përgjigjet nga autoritetet ruse
36. Qeveria kërkuese gjithashtu paraqiti dy letra nga Drejtoria e Punëve të Brendshme të dy qarqeve të Moskës – Taganskiy (Kryetar në kohën materiale: Z. G.S. Zakharov) dhe Zapadniy (Zv/Kryetar në kohën materiale: Z. A.V. Komarov) – dërguar më 2 dhe 3 tetor 2006 shkollave me qëllim të identifikimit të nxënësve gjeorgjianë me qëllim, mes të tjerash, të “sigurimit të rendit publik dhe respektimit të ligjit, për të parandaluar akte terroriste dhe tensione mes fëmijëve që jetojnë në Moskë dhe fëmijëve të kombësisë gjeorgjiane (национальность)” (letër nga Z. Zakharov). Në një përgjigje në letrën e datës 4 tetor 2006, drejtori i njërit prej atyre institucioneve në kohën materiale (Z. Engels) tha që nuk kishte regjistër ku nxënësit regjistroheshin mbi bazën e kombësisë së tyre (letrat nga Z. Zakharov dhe Z. Engels gjithashtu ndodhen në Shtojcën e raporteve nga PACE dhe HRW). Dërgimi i këtyre kërkesave për informacion u komentua gjerësisht në mediat ruse.
37. Qeveria përgjegjëse nuk e kontestoi ekzistencën e letrave, dhe madje njohu faktin që edhe kërkesa të tjera të të njëjtit lloj u ishin dërguar shkollave të ndryshme në fillim të tetorit 2006 nga kryetari i Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Qarkun Butyrskiy të Moskës (Znj. N.V. Markova në kohën materiale), mbi bazën e faktit se ajo donte të identifikonte rastet e ryshfeteve të paguara në shkolla nga imigrantët e paligjshëm, dhe nga Kryetari i Departamentit për të Mitur pranë Qarkut Togliatti në Rajonin Samara (Znj. S.V. Volkova në kohën materiale), mbi bazën e faktit se ajo donte të identifikonte fëmijët që jetonin në kushte të këqija. Qeveria përgjegjëse parashtroi që hetimet e mëtejshme kishin arritur në përfundimin që udhëzime të tilla zyrtare nuk ishin lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithatë, në raste të izoluara, zyrtarët ishin treguar më të zellshëm sesa duhej, e rrjedhimisht ata më pas ishin ndëshkuar për veprimet e tyre të paligjshme. Dokumentet e paraqitura nga Qeveria përgjegjëse tregojnë që zyrtarët në fjalë ishin qortuar, ishin zbritur në nivel më të ulët të detyrës dhe ishin disiplinuar. Në seancën e dëshmitarëve, Znj. Kulagina, Inspektore, Departamenti për Organizimin e Aktiviteteve të Zyrtarëve Policorë të Qarkut dhe Zyrtarëve Mbikëqyrës të Qarkut për të Miturit, Divizioni Kryesor i Brendshëm, Rajoni Samara, në kohën materiale, dhe Z. Shabas, Zv/Kryetar i Departamentit të Brendshëm, Qarku Administrativ Verilindor, Moskë, në kohën materiale, e konfirmoi atë informacion dhe shpjegoi se si ishin zhvilluar hetimet zyrtare dhe ishin caktuar dënime ndaj Znj. Voklova dhe Znj. Markova mes të tjerash...
38. Qeveria përgjegjëse gjithashtu paraqiti një letër të datës 5 dhjetor 2006 nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm i Federatës Ruse drejtuar të gjithë prokurorëve ku theksohej se disa drejtori të punëve të brendshme kishin vepruar në mënyrë të paligjshme në lidhje me shtetasit e Shteteve të Pavarura të Commonwealth-it (angl. CIS). Ai iu referua në mënyrë të veçantë kërkesave të pajustifikuara dërguar shkollave me qëllim të identifikimit të nxënësve të kombësisë gjeorgjiane dhe e përfundoi letrën duke i ftuar të gjithë prokurorët që të intensifikonin mbikëqyrjen e tyre ndaj aktiviteteve të atyre divizioneve me qëllim që të garantohej respektimi i të drejtave dhe lirive të shtetasve të CIS.
3. Qëndrimi i organizatave të ndryshme ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare
39. Organizatat ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare, nga ana e tyre, iu referuan veprimeve të koordinuara mes autoriteteve administrative dhe gjyqësore, duke iu referuar në mënyrë specifike udhëzimit të 2 tetorit 2006 (nr. 122721∕08) dhe qarkores nr. 0215 të Drejtorisë Kryesore të Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit të datës 30 shtator 2006 (raporti i PACE, §§ 55 dhe 71, raporti i HRW, § 37, dhe raporti i FIDH, fq. 26 dhe 27). Në seancën e dëshmitarit Z. Eörsi, raportues i Komitetit Monitorues të PACE në kohën materiale, tha që dëbimi i një numri kaq të madh të shtetasve gjeorgjianë brenda një hapësire kohore kaq të shkurtër nuk mund të ishte bërë pa dijeninë dhe udhëzimet e personave të rangut të lartë mes autoriteteve ruse.
40. Për më tepër, FIDH tregoi që “organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe refugjatëve të pranishme në Rusi konsiderojnë që një fushatë e zhvilluar në një mënyrë kaq të shtirur në tërë territorin rus mund të kishte filluar vetëm me një urdhër me shkrim nga hierarkia e Ministrisë së Brendshme. Dhe ndërkohë që zyrtarët e lartë të Shërbimit Federal të Migracionit dhe Ministria e Brendshme e kanë mohuar dhënien e urdhrave shprehimisht represive që vinin në shënjestër gjeorgjianët, shumë anëtarë të rrjetit “Migracioni dhe Ligji” nga “Memorial” [organizatë jo qeveritare ruse e të drejtave të njeriut] kanë parë në departamentet rajonale të stacioneve të policisë [udhëzime] me shkrim që përmbanin të gjitha elementet e pranishme në fushatë. Rasti i [qarkores sekrete të lëshuar nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit] dhe letrat dërguar shkollave në Moskë (shih paragrafët 36 deri në 37 lart) nuk mund të shihen si raste të izoluara” (raporti i FIDH, fq. 28-29; për kërkesat për informacione dërguar shkollave, shih gjithashtu raportin e PACE, Shtojca V, dhe raportin e HRW, fq. 37).
C. Ngjarjet e kundërshtuara sipas deklaratave të dëshmitarëve
1. Situata e shtetasve gjeorgjianë sipas rregullave të imigracionit në Federatën Ruse
41. Çështja që kontestohet mes palëve është nëse shtetasit gjeorgjianë që janë dëbuar kishin vepruar në përputhje me rregullat e imigracionit të Federatës Ruse gjatë periudhës në fjalë. Shumë organizata ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare kanë theksuar kompleksitetin e atyre rregullave (shih paragrafin 76 poshtë).
42. Për sa u përket dëshmitarëve gjeorgjianë të cilët dhanë dëshmi në seancën e dëshmitarëve, megjithëse situata e tyre ligjore në Federatën Ruse shpesh dukej e ngatërruar, Gjykata vëren se shumica e tyre zyrtarisht ishin me qëndrim të paligjshëm të mëparshëm në Federatën Ruse – disa prej tyre për vite me radhë – për arsye të ndryshme (për shembull, pa leje të vlefshme pune, pa vizë ose pa certifikatë regjistrimi, shpesh të lëshuara në mënyra mashtruese – pa dijeninë e tyre – nga shumë agjenci private që vepronin relativisht haptas në Federatën Ruse). Ata deklaruan që dokumentet e tyre vërtet ishin kontrolluar me raste në të kaluarën, dhe nganjëherë kjo kishte rezultuar në pagesën e një shume të parave, por që kjo ishte hera e parë që ata ishin arrestuar dhe dëbuar me forcë nga territori rus.
43. Z. Pataridze, Konsulli i Gjeorgjisë në Federatën Ruse në kohën materiale, tha që procedurat zyrtare ishin të vështira për t’u zbatuar në praktikë dhe që shumë shtetas të huaj, përfshirë gjeorgjianët, ishin mashtruar nga agjencitë private, shumë prej të cilat vepronin ilegalisht dhe madje lëshonin certifikata regjistrimi të falsifikuara. Ai shtoi që në Federatën Ruse njerëzit shpesh u drejtoheshin këtyre agjencive private, të cilat reklamoheshin në të gjitha vendet publike në qytetet e mëdha...
44. Z. Azarov, Zv/Kryetari i Departamentit të Kontrollit të Imigracionit, Shërbimi Federal i Migracionit, Moskë, në kohën materiale, dhe Z. Kondratyev, Inspektor nga Divizioni i Masave të Largimit Nr. 2 në të njëjtin departament në kohën materiale, theksoi se vetëm autoritetet zyrtare kishin pushtetin të lëshonin dokumente të tilla dhe ato rregullisht publikonin informacione relevante për shtetasit e huaj. Ata e konfirmuan ekzistencën e këtyre agjencive private, por theksuan që aktivitetet e tyre ishin shpesh të paligjshme dhe kalonin nëpër procedura penale, pa dhënë, sidoqoftë, shembuj konkretë...
2. Arrestimi, paraburgimi dhe dëbimi i shtetasve gjeorgjianë
45. Pas seancës së dëshmitarëve, ngjarjet e kontestuara mund të përmblidhen si vijon: kontrollet e identitetit të shtetasve gjeorgjianë u zhvilluan nëpër rrugë, në treg dhe në vende të tjera të punës dhe në shtëpitë e tyre, dhe ata më pas u arrestuan dhe u dërguan në stacionet e policisë. Pas një periudhe mbajtjeje në stacionet e policisë (ku periudha shkonte prej disa orë deri në një ose dy ditë, sipas deklaratave të dëshmitarëve), ata u vendosën në grupe dhe u dërguan me autobus në gjykata, të cilat në mënyrë të përmbledhur caktuan dënime administrative ndaj tyre dhe morën vendime që urdhëronin dëbimin administrativ të tyre nga territori rus. Më pas, pasi disa nganjëherë bënin vizita mjekësore dhe analiza gjaku, ata u dërguan në qendra paraburgimi për të huajt ku u mbajtën për periudha të ndryshme kohore (prej dy deri në katërmbëdhjetë ditë, sipas deklaratave të dëshmitarëve), dhe më pas u dërguan me autobus në aeroporte të ndryshme në Moskë, dhe u dëbuan për në Gjeorgji me avion. Duhet theksuar se disa prej shtetasve gjeorgjianë ndaj të cilëve u lëshuan urdhra dëbimi u larguan nga territori i Federatës Ruse me mjetet e veta.
a. Kushtet e arrestimit
46. Dëshmitarët gjeorgjianë thanë që ata ishin arrestuar nga policët rusë me pretekstin se dokumentet e tyre të identifikimit nuk ishin në rregull. Ata në shumë raste nuk kishin mundur të merrnin gjërat e tyre personale me vete ose të informonin të afërmit. Kur kishin pyetur se përse po arrestoheshin, u ishte thënë se kjo po ndodhte për shkak se ishin gjeorgjianë dhe që kishte urdhra nga lart për të dëbuar shtetasit gjeorgjianë...
47. Z. Azarov, Zv/Kryetari i Departamentit të Kontrollit të Imigracionit, Shërbimi Federal i Migracionit, Moskë, në kohën materiale, dhe Z. Kondratyev, Inspektor nga Divizioni i Masave të Largimit Nr. 2 në kohën materiale, thanë që departamentet e tyre morën përsipër, mbi bazën e informacionit të marrë, zhvillimin e kontrolleve të identitetit të shtetasve të huaj ose të punëdhënësve që dyshohej se kishin shkelur rregullat e imigracionit në Federatën Ruse.
b. Procedurat para gjykatave
48. Dëshmitarët gjeorgjianë të gjithë deklaruan që para të gjitha gjykatave ishte ndjekur një procedurë shumë e shkurtuar. Shpesh ata as që e kishin kuptuar që ishin sjellë para gjykatës... Ndërkohë që disa prej tyre përmendën një intervistë me gjyqtarin, që kishte zgjatur pesë minuta mesatarisht dhe nuk kishte shqyrtuar tamam faktet e çështjes... , të tjerë thanë se nuk ishin pranuar në sallën e gjyqit dhe kishin pritur nëpër korridore, ose edhe në autobusët që i kishin sjellë deri te gjykata..., me shtetas të tjerë gjeorgjianë (numri i tyre shkonte prej 15 deri në 150). Ata thanë që më pas ishin urdhëruar t’i nënshkruanin vendimet gjyqësore pa pasur mundësinë që të lexonin përmbajtjen e tyre ose pa pasur mundësi të merrnin një kopje të vendimit. Ata nuk kishin pasur as përkthyes e as avokat... Në përgjithësi, edhe gjyqtarët edhe policët i kishin dekurajuar nga të apeluarit duke u thënë që urdhri ishte që shtetasit gjeorgjianë të dëboheshin, dhe sidoqoftë ata ishin stresuar aq shumë nga ideja e qëndrimit më të gjatë në paraburgim dhe aq shumë donin të ktheheshin në Gjeorgji saqë do të kishin nënshkruar “çfarëdo lloj gjëje”. Kur kishin pyetur se përse po dëboheshin, u ishte thënë se kjo po ndodhte për shkak se ishin gjeorgjianë dhe se duhet të shkonin e të pyesnin presidentin e tyre. Z. Saakashvili.
49. Z. Pataridze, Konsull i Gjeorgjisë në Federatën Ruse në kohën materiale, tha që zyrtarët rusë privatisht i kishin treguar se apele të tilla ishin të pakuptimta sepse vendimi për të dëbuar gjeorgjianët nga Federata Ruse ishte vendim politik...
50. Z. Kondratyev, Inspektor nga Divizioni i Masave të Largimit Nr. 2, Departamenti i Kontrollit të Imigracionit, Shërbimi Federal i Migracionit, Moskë, në kohën materiale, i përshkroi procedurat para gjykatës si vijon: i pandehuri sillej para një gjyqtari i cili e informonte për të drejtat dhe detyrimet e tij, e pyeste nëse donte përkthyes dhe avokat të pranishëm, dhe, nëse po, kërkesa e tij merrej parasysh; më pas gjyqtari i bënte të pandehurit pyetje rreth situatës së tij, dilte nga salla dhe kthehej me urdhrin me vete. Në qoftë se urdhri ishte urdhër dëbimi, i pandehuri merrte një kopje dhe pastaj dërgohej në qendrën e paraburgimit për të huajt me qëllim të dëbimit të tij ose të saj. Ai ose ajo kishte dhjetë ditë kohë për të bërë apel, edhe pas dëbimit nga Federata Ruse, dhe ai kufi kohor mund të shtyhej...
51. Z. Manerkin, Kryetar i Divizionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Legjislacionit Federal, Prokuroria, Moskë, në kohën materiale, shpjegoi që në kohën relevante divizioni i tij kishte identifikuar parregullsi procedurale posaçërisht në lidhje me mënyrën se si Shërbimi Federal i Migracionit kishte hartuar raportet rreth shtetasve të huaj prej disa vendeve. Në 22 raste ato gjetje kishin çuar në mënjanimin e urdhrave për dëbim. Ai shtoi se Prokurori i Përgjithshëm përgjegjës për Rajonin e Moskës i kishte kërkuar të gjitha divizioneve të tij që të siguroheshin që të drejtat e të gjithë shtetasve të huaj të respektoheshin si duhet. Ai tha që nuk kishte pasur asnjëherë udhëzime që kufizonin të drejtat e shtetasve gjeorgjianë sepse kjo do të ishte e kundërligjshme, e madje krim sipas ligjeve ruse.
c. Kushtet e paraburgimit
52. Dëshmitarët gjeorgjianë folën për kushte të “mbipopulluara”, “të padurueshme” dhe “çnjerëzore” të paraburgimit dhe për kushte higjienike tmerruese, dhe thanë që personat me të cilët kishin qenë bashkë në paraburgim ishin kryesisht shtetas gjeorgjianë, megjithëse kishte pasur nganjëherë një ose dy të paraburgosur të kombësive të tjera.
53. Ata thanë se gjatë paraburgimit të tyre në stacionet e policisë, qelitë, të cilat thirreshin “kafaz majmuni”, kishin qenë tepër të vogla dhe të stërmbushura, që burrat dhe gratë nganjëherë ishin vendosur bashkë në një vend dhe që kishte qenë e pamundur të uleshin ...
54. Ata thanë se në qendrat e paraburgimit për të huajt edhe qelitë ishin të mbipopulluara: përshkrimi i madhësisë së qelive shkonte prej 40 me 50 m2 për 100 të paraburgosur, 22 me 25 m2 për 23 të paraburgosur me 10 krevate ..., 6 me 8 hapa për 30 të paraburgosur me 6 krevate ..., dhe 25 m2 me 40 të paraburgosur dhe 15 krevate ... Dëshmitarë të tjerë treguan për qeli tepër të vogla me 7 ose 8 të paraburgosur ... ose me 45 të paraburgosur dhe 6 ... Krevatet kishin qenë thjesht shufra hekuri ose dyshekë shumë të hollë pa batanije; të paraburgosurve u ishte dashur të flinin me radhë; kishte pasur një kovë për nevojat personale dhe nuk kishte pasur ndarje me pjesën tjetër të qelive; dhe nuk kishte pasur ujë dhe ushqim të mirë.
55. Z. Pataridze, Konsull i Gjeorgjisë në Federatën Ruse në kohën materiale, tha që ai dhe ekipi i tij kishin vizituar më shumë se një duzinë qendra paraburgimi në rajone të ndryshme të Federatës Ruse, përfshirë ato në Shën Peterburg dhe Moskë. Ai konfirmoi që kishte pasur kryesisht shtetas gjeorgjianë të paraburgosur në të gjitha qendrat, që qelitë ishin të mbipopulluara, kushtet e paraburgimit ishin shumë të vështira, që higjiena ishte e tmerrshme, dhe që kishte shumë pak krevate dhe dyshekë. Vetëm qendra e paraburgimit nr. 1 në Moskë (qendër model që i është treguar gazetarëve) ofronte kushte më të mira paraburgimi, megjithëse edhe ajo ishte e mbipopulluar...
56. Z. Azarov, Zv/Kryetari i Departamentit të Kontrollit të Imigracionit, Shërbimi Federal i Migracionit, Moskë, në kohën materiale, tha që ai ishte përgjegjës për tetë qendrat e paraburgimit në Moskë dhe që ai i kishte vizituar të gjitha ato: kushtet e paraburgimit ishin të njëjta për të gjithë të huajt, pra qeli të mëdha rreth 50m2, me krevate, banja të ndara, me ujë të rrjedhshëm dhe ushqime të ngrohta tri herë në ditë... Dëshmitarë të tjerë rusë thanë që nuk kishte pasur asnjëherë ankesa nga Konsulli i Gjeorgjisë ose nga shtetasit gjeorgjianë në lidhje me kushtet e paraburgimit.
d. Kushtet e dëbimit
57. Dëshmitarët gjeorgjianë deklaruan që ata dhe shtetas të tjerë gjeorgjianë ishin marrë me autobus, ishin shoqëruar nga zyrtarët e forcave të policisë speciale ruse (OMON), drejt aeroporteve të ndryshme të Moskës prej të cilave ishin dëbuar me avionë drejt Tbilisit. Ata thanë se ishin poshtëruar nga policët e OMON, duke u detyruar të paguanin në autobus para se të lejoheshin të kryenin nevojat personale ose të pinin duhan ose të merrnin gjërat e tyre personale..., dhe më pas u ishte dashur të ecnin e madje edhe të vraponin drejt avionit me duart prapa mes korridoreve njerëzore të formuara nga policët e OMON. Shtetasit e parë gjeorgjianë që ishin përjashtuar ishin dërguar me avion mallrash (më 6 tetor 2006), dhe të tjerët me avionë linje (më 10, 11 dhe 17 tetor 2006). Megjithëse kushtet e transportit në avionin e linjës kishin qenë të pranueshme, kushtet e avionit të mallrave kishin qenë mjaft të prapambetura: dëshmitarët gjeorgjianë thanë që kishte pasur vetëm dy radhë me ulëse mbi të cilat ishin ulur gratë dhe fëmijët (rreth njëzet syresh), ndërkohë që burrat ishin ulur në dysheme ose kishin qëndruar në këmbë, dhe që një lloj vaske kishte shërbyer si banjë/tualet dhe kishte qarkulluar mes radhëve të ulëseve. Numri i pasagjerëve gjeorgjianë në avionë ishte mes 80 dhe 150.
58. Z. Kondratyev, Inspektor nga Divizioni i Masave të Largimit Nr. 2, Departamenti i Kontrollit të Imigracionit, Shërbimi Federal i Migracionit, Moskë, në kohën materiale, tha që avionët e mallrave u ngjanin avionëve të linjës me pak më pak komfort; sidoqoftë, ata kishin qenë të pajisur me ulëse ose stola, dhe kishte pasur banja/tualete të fiksuara në tokë. Ai vetë e kishte shoqëruar fluturimin e avionit të mallrave më 6 tetor 2006, dhe shpjegoi që fluturimi kishte zgjatur rreth tri orë, që në bord kishte pasur rreth 150 pasagjerë dhe që ata nuk ishin ankuar për kushtet e transportit por kishin falënderuar anëtarët e departamentit të tij pas arritjes në Tbilisi. Rrugës në kthim, i njëjti avion kishte shërbyer për të transportuar shtetasit rusë nga Gjeorgjia drejt Federatës Ruse.
59. Z. Azarov, Zv/Kryetari i Departamentit të Kontrollit të Imigracionit, Shërbimi Federal i Migracionit, Moskë, në kohën materiale, kishte qenë i pranishëm në aeroportet e Zhukovskoe dhe Domodedovo dhe kishte marrë pjesë në procesin e hipjes së udhëtarëve në dy avionët që mbanin shtetasit gjeorgjianë që po dëboheshin për në Gjeorgji. Ai tha që avionët kishin qenë të pajisur me ulëse dhe stola, dhe që në bord ishin shpërndarë ujë dhe biskota.
60. Z. Shevchenko, Zv/Kryetari i Departamentit të Kontrollit të Imigracionit pranë Shërbimit Federal të Migracionit në kohën materiale, deklaroi që ai kishte qenë i pranishëm në aeroport kur shtetasit gjeorgjianë ishin dëbuar dhe theksoi që nuk kishte pasur kufizime bagazhi; përkundrazi, ata i kishin pasur sendet personale me vete dhe shtypi kishte qenë i pranishëm. Rrjedhimisht, në një letër falënderimi të dërguar nga Konsulli i Gjeorgjisë kryetarit të Shërbimit Federal të Migracionit të qytetit Derbent (Dagestan) i pari kishte përgëzuar autoritetet ruse për bashkëpunimin e tyre të mirë gjatë procedurave të dëbimit, dhe nuk kishte ngritur padi.
e. Situata në Gjeorgji pas dëbimit
61. Dëshmitarët gjeorgjianë theksuan që ata kishin qenë të lehtësuar kur janë kthyer në Gjeorgji dhe nuk e kishin paramenduar apelimin kundër urdhrave të dëbimit pranë konsullatës ose ambasadës së Federatës Ruse në Tbilisi. Sidoqoftë, gjatë procedurave para gjykatave në Federatën Ruse si gjyqtarët ashtu edhe policët u kishin thënë atyre disa herë që ishte e kotë të apelonin sepse ekzistonte urdhri nga lart për të dëbuar shtetasit gjeorgjianë. Disa madje iu referuan pengesave praktike si mbyllja e konsullatës ruse në Tbilisi, kurse disa të tjerë treguan që kishte pasur radhë të gjata jashtë konsullatës.
62. Z. Vasilyev, Konsulli i Federatës Ruse në Gjeorgji në kohën materiale, tha se pas riatdhesimit të një pjese të stafit diplomatik të ambasadës dhe konsullatës së Federatës Ruse në Tbilisi nga fundi i shtatorit 2006 ambasada kishte vazhduar të operonte normalisht, gjatë orareve të zakonshme të punës (9:00 – 16:00), me një numër të reduktuar të punonjësve prej pesëmbëdhjetë vetash (diplomatë dhe staf administrativ) në ambasadë dhe tre diplomatë në konsullatë. Prandaj shtetasit gjeorgjianë mund të kishin paraqitur apelet ose ankesat e tyre – personalisht, ose përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë – të cilat mund t’i ishin transmetuar autoriteteve përkatëse në Federatën Ruse, por nuk ishte paraqitur asnjë apel ose ankesë. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, nga marsi 2009, Federata Ruse kishte mbajtur një zyrë të hapur pranë ambasadës zvicerane në Gjeorgji dhe Gjeorgjia po ashtu kishte mbajtur një zyrë të hapur pranë ambasadës zvicerane në Federatën Ruse. Diplomatët përkatës të të dy vendeve mund të ishin kontaktuar aty... Në letrën e saj datë 15 prill 2011 Qeveria përgjegjëse konfirmoi që pas evakuimit të disa pjesëtarëve të stafit të saj diplomatik nga fundi i shtatorit 2006, dhjetë anëtarë të stafit diplomatik kishin vazhduar të punonin në ambasadën ruse në Tbilisi dhe tre anëtarë të stafit në konsullatë.
D. Ngjarjet e kundërshtuara sipas organizatave të ndryshme ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare
1. Shikim i përgjithshëm
63. Komiteti Monitorues i PACE iu referua “fushatës selektive dhe të qëllimshme të persekutimit mbi baza etnike, çka është qartazi kundër frymës së nenit 14 dhe Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ) ... ku ky grup është qartazi në shënjestër të operacioneve të milicisë speciale për të gjurmuar popullsinë e tij në rrugë, në tregje, ose para vendeve strategjike (konsullata gjeorgjiane në Moskë, kisha ortodokse gjeorgjiane) ...” (raporti i PACE, §§ 52-53).
64. Organizatat jo qeveritare iu referuan “operacioneve masive të kontrollit dhe represionit të drejtuara kundër gjeorgjianëve të Moskës dhe qyteteve të tjera ruse” (raporti i FIDH, pika II “fushata anti-gjeorgjiane e vjeshtës 2006”, fq. 20). Shtetasit gjeorgjianë dhe “gjeorgjianët etnikë” supozohej se ishin viktima të një politike të qëllimshme paraburgimi dhe dëbimi (raporti i HRW, fq. 1).
65. HRW citoi komentet nga Znj. Ella Pamfilova, atëbotë Kryetare e Komitetit Këshillimor të Presidentit mbi të Drejtat e Njeriut dhe Shoqërinë Civile në Federatën Ruse (organ shtetëror që këshillon presidentin rus në lidhje me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shoqërinë civile dhe të drejtat e njeriut), e cila tha që “masat administrative dhe ligjore të zbatuara [kundër gjeorgjianëve] janë të pabazuara: bizneset që punësojnë gjeorgjianë etnikë po mbyllen, vizat dhe dokumentet e regjistrimit të fituara ligjërisht nga shtetasit gjeorgjianë po anulohen, njerëzit po paraburgosen dhe [po dëbohen] në mënyrë të paligjshme nga Rusia” (deklarata e 8 nëntorit 2006, fq. 30 e raportit).
66. Znj. Svetlana Gannushkina, anëtare e të njëjtit komitet këshillimor, Kryetare e rrjetit “Migracioni dhe Ligji” dhe Kryetare e Komitetit të Asistencës Civile, si dhe anëtare e bordit të Qendrës së të Drejtave të Njeriut “Memorial”, në kohën materiale, tha në vitin 2006 që kishte pasur “persekutim të organizuar të shtetasve gjeorgjianë”. Ajo konsideroi që një “ngacmim i tillë i një grupi të veçantë njerëzish [ishte] një formë e papranueshme diskriminimi [që nuk mund] të shihej kurrsesi si metodë e ligjshme e luftës kundër migrimit ilegal” (fjalimi në Parlamentin Evropian më 21 nëntor 2006).
67. Institucione të tjera evropiane gjithashtu shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me numrin e madh të gjeorgjianëve të dëbuar dhe u kërkuan autoriteteve ruse që të tërhiqnin të gjitha masat e marra kundër shtetasve gjeorgjianë me banim në territorin e tyre (fjalimi i 25 tetorit 2006 nga Znj. Ferrero-Waldner, anëtare e Komisionit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika Evropiane të Fqinjësisë; mocioni i Përbashkët për një rezolutë i datës 6 mars 2007 i Parlamentit Evropian mbi situatën në Osetinë Jugore, pikat I. dhe 11 e 12; Deklarata e 15 dhjetorit 2006 e Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Mostolerancës (ECRI)).
2. Arrestimi, paraburgimi dhe dëbimi i shtetasve gjeorgjianë
a. Kushtet e arrestimit dhe procedurat para gjykatave
68. Komiteti Monitorues i PACE tha që “dëbimet rutinore” ndoqën një model të përsëritur në tërë vendin: “Gjeorgjianët e ndaluar në rrugë nën pretekstin e kontrollit të dokumenteve u paraburgosën pavarësisht nëse dokumentet e tyre ishin në rregull ose jo dhe u dërguan në stacionet e Milicisë ku u mblodhën në grupe të mëdha dhe u dërguan në gjykata, ku vendimet mbi dënimet administrative me dëbim nga territori i Rusisë u dhanë sipas marrëveshjes paraprake me gjykatat, pa avokatë dhe pa shqyrtim nga gjykata të rrethanave individuale, ku e tërë procedura zgjati prej dy deri në dhjetë minuta. Shpesh, njerëzit që u nënshtroheshin këtyre masave nuk u pranuan në sallën e gjyqit, të paraburgosurit u mbajtën në korridore e madje edhe nëpër makinat me të cilat ishin sjellë aty” (raporti i PACE, § 59).
69. Ai përshkrim përputhet me atë nga FIDH dhe HRW (raporti i FIDH, fq. 23-26 nën II-2 “Zhvillimi i krizës dhe llojet e persekutimeve” a) “Operacionet e kontrollit dhe arrestimit”, b) “Mohimi flagrant i drejtësisë dhe anashkalimi i procedurave”, dhe raporti i HRW, fq. 40-53 nën “Paraburgimi arbitrar dhe i paligjshëm dhe dëbimi i gjeorgjianëve”).
70. Sipas HRW, “ndërkohë që shumë [shtetas gjeorgjianë] të dëbuar teknikisht mund të kenë marrë një vendim gjyqësor që urdhëronte dëbimin e tyre, mënyra në të cilën u morën ato vendime (disa në gjyqe grupi), mungesa e përfaqësimit dhe mundësisë për të formuluar argumentet e duhura kundër dëbimit, si dhe fakti që shumë personave mes tyre efektivisht iu mohua e drejta për apel, tregon dështimin e Rusisë për të vepruar në përputhje me detyrimet e saj nga KEDNJ” (raporti i HRW, fq. 13).
71. FIDH, nga ana e vet, tregoi që “personat e arrestuar u sollën në grupe pranë gjykatave, të cilat brenda pak minutave urdhëruan që ata të dëboheshin nga Rusia, çka u parapri nga një periudhë paraburgimi në një qendër paraburgimi të përkohshëm për shtetas të huaj (TsVSIG), pa marrë parasysh kushtet ose situatën familjare të secilit individ” (raporti i FIDH, fq. 25).
Ai shtoi se një avokat nga “Asistenca Civile”, shoqatë ruse, “ishte dëshmitar në disa raste i keqadministrimeve masive të drejtësisë gjatë fushatës: jo vetëm që të arrestuarit nuk kishin të drejtë për të pasur avokat, por ata shumë shpesh silleshin nga policët në gjykata me grupe. Pasi silleshin aty, gjyqtarët i trajtonin çështjet si të ishin linjë prodhimi dhe zakonisht pa praninë e personave në fjalë dhe pa marrë parasysh rrethanat e secilit rast. Këto njoftime për dëbim i paraqiteshin të paraburgosurve; shumë prej tyre i nënshkruan duke menduar se po nënshkruanin një gjobë, si një prej disa dënimeve të mundshme administrative për vepra kundër rregullave të imigracionit. Në disa raste, personat në fjalë dekurajoheshin paraprakisht nga apelimi kundër urdhrit duke iu thënë se “kjo do t’i përkeqësonte punët”. Në disa raste u nënshkruan “marrëveshje” në vend të të deportuarve” (raporti i FIDH, fq. 26).
Gjithashtu ai tha se “ka disa faktorë që tregojnë se kishte marrëveshje të fshehtë mes policisë dhe autoriteteve gjyqësore, çka vërteton se kjo politikë ishte planifikuar që përpara: në Moskë prova e marrëveshjes së fshehtë mes policisë dhe gjykatave qëndron në faktin se këto të fundit nuk kishin shënuar asnjë çështje tjetër gjatë periudhës kur policia kishte sjellë shtetasit gjeorgjianë para gjykatave. Ata ishin arrestuar në orën 9:00 të mëngjesit dhe kishin dalë si grup para gjykatave në orën 10:00 të mëngjesit. Gjyqtarët morën një numër më të madh vendimesh brenda pak ditësh sesa marrin zakonisht brenda gjashtë muajsh” (raporti i FIDH, fq. 26).
b. Kushtet e paraburgimit dhe dëbimit
72. Për sa u përket kushteve të paraburgimit dhe dëbimit, Komiteti Monitorues i PACE iu referua dëshmitarëve që kishte dëgjuar gjatë misionit të ndërmarrë nga bashkëraportuesit të cilët treguan për “mbipopullim” dhe kushte paraburgimi “të padurueshme” dhe “çnjerëzore”. Atyre supozohet se u ishte mohuar jo vetëm ndihma mjekësore por gjithashtu edhe mundësia për kryerjen e nevojave të tyre bazë.
Ajo situatë kishte rezultuar në vdekjen e një qytetari gjeorgjian 48-vjeçar, Tengiz Togonidze, i cili, sipas dëshmitarëve, vuante nga astma. Pasi kishte qenë i paraburgosur për dy javë pa ndihmë mjekësore dhe pa pasur mundësi të dilte në ajër të pastër, ai kishte vdekur pas një udhëtimi që kishte zgjatur disa orë mes qendrës së paraburgimit në Shën Peterburg dhe Aeroportit Ndërkombëtar Domodedovo të Moskës më 17 tetor 2006. Zv/Kryetari i Shërbimit Federal të Migracionit në kohën materiale, Z. Turkin, tha që ndërtesa e paraburgimit në fjalë ishte duke u mbyllur. Komiteti Monitorues gjithashtu iu referua rastit të një shtetaseje tjetër gjeorgjiane, Manana Jabelia, 52 vjeç, e cila kishte vdekur më 2 dhjetor 2006 në qendrën e paraburgimit nr. 2 në Moskë pas dy muajve ndihme mjekësore të pamjaftueshme dhe pasi i ishte refuzuar ndihma mjekësore urgjente (raporti i PACE, § 60).
Së fundi, Komiteti Monitorues iu referua kushteve në të cilat shtetasit gjeorgjianë ishin transportuar me avionë mallrash në fillim të tetorit 2006. Kjo ishte bërë duke shkelur normat e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil sepse një transportim i tillë i udhëtarëve ishte me rrezik për jetën (raporti i PACE, § 57).
73. FIDH saktësoi se kishte “tetë qendra paraburgimi të përkohshëm për të huajt (TsVISG) në Moskë dhe në zonat përreth, të cilat kryesisht ishin konvertuar nga ish-qeli për kthjelljen e të dehurve. Qendrat nr. 1 (qarku Novoslobodskaya), nr. 2 (në Peredelkino) dhe nr. 8 (në Mnevniki) u vizituan nga stafi i Komitetit “Asistenca Civile”. Para qendrës së ndodhur në Rrugën Dimitrovskoe Chaussée, kishte një radhë gati 2 km të gjatë makinash të policisë që priste të shkarkonte personat e arrestuar në atë qendër që kishte hapësirë për rreth 320 persona. Të paraburgosurit deklaruan që kishin qenë gjashtëmbëdhjetë persona për qeli në vend të tetë personave, dhe që racionet e ushqimit nuk ishin shtuar. Për më tepër, kishte pasur aq shumë njerëz saqë TsVSIG nuk kishte pasur as kohë të hartonte dokumentet për lirimin e të paraburgosurve.” FIDH gjithashtu iu referua katër rasteve të vdekjeve në paraburgim ose gjatë udhëtimit para dëbimit (raporti i FIDH, fq. 26-27 nën (c) “Kushtet e paraburgimit dhe vdekjet në paraburgim”).
74. HRW raportoi fakte të ngjashme dhe po ashtu iu referua katër rasteve të vdekjeve në paraburgim (raporti i HRW, fq. 53-57 nën “Vdekjet e gjeorgjianëve në paraburgim”, dhe fq. 57-63 nën “Trajtimi çnjerëzor dhe poshtërues”).
Në pikën e parë HRW gjithashtu iu referua rastit të Z. Togonidze dhe rastit të Znj. Jabelia, të cilët supozohej se u ishin nënshtruar kushteve shumë të rënda të paraburgimit dhe që nuk u ishte ofruar ndihma mjekësore e nevojshme, çka kishte rezultuar në vdekjen e tyre. U përmend edhe rasti i dy shtetasve të tjerë gjeorgjianë të cilët kishin vdekur në paraburgim. Më tej, autoritetet ruse supozohej se kishin dështuar në zhvillimin e hetimeve të mjaftueshme pas atyre vdekjeve pavarësisht nga detyrimi i tyre për të vepruar kështu sipas nenit 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në pikën e dytë HRW tregoi se shumë shtetas gjeorgjianë i ishin nënshtruar trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues duke pasur parasysh kushtet e këqija të paraburgimit dhe dëbimit (qelitë e mbipopulluara, mungesa e ujit dhe ushqimit, dhe transportimi i më shumë së njëqind shtetasve gjeorgjianë me avion mallrash).
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDASE
A. Ligjet e imigracionit dhe situata e veçantë e shtetasve gjeorgjianë
75. Hyrja dhe qëndrimi i imigrantëve qeverisen nga dy Ligje: Ligji Federal nr. 115-FZ i 25 korrikut 2002 mbi Statusin Ligjor të Shtetasve të Huaj në Federatën Ruse dhe Ligji Federal nr. 109-FZ i 18 korrikut 2006 mbi Regjistrimin në Federatën Ruse të Migrantëve të cilët janë Shtetas të Huaj ose Persona pa Shtetësi.
Që nga hyrja në fuqi më 29 tetor 2002 e Ligjit mbi Statusin Ligjor të Shtetasve të Huaj, të gjithë qytetarëve të CIS – përfshirë shtetasit gjeorgjianë – u kërkohet të rregullojnë situatën e tyre duke bërë kërkesë për leje qëndrimi, pavarësisht nga fakti se më parë kanë qenë banorë të ligjshëm në territorin rus. Sipas seksioneve 20 dhe 21 të atij Ligji, ata gjithashtu duhet të paraqesin kërkesë për regjistrim pranë zyrave lokale të Shërbimit Federal të Migracionit Rus për të marrë një certifikatë regjistrimi që tregon vendbanimin e tyre. Nëse duan të zhvillojnë aktivitet profesional ata duhet të marrin leje pune dhe kartën e punonjësit migrant në përputhje me seksionin 13. Shtetasve të huaj që duan të marrin pjesë në një seminar ose të zhvillojnë kontakte biznesi në Federatën Ruse u kërkohet vizë biznesi (деловая) me kohëzgjatje të ndryshueshme, por kjo nuk i autorizon ata që të punojnë atje ligjërisht.
Përveç kësaj, që nga 5 dhjetori 2000, pas prishjes së Marrëveshjes së Bishkek të 9 tetorit 1992 mbi udhëtimin e lirë pa viza për qytetarët e disa Shteteve anëtare të CIS, përfshirë Gjeorgjinë, të gjithë shtetasit gjeorgjianë duhet të aplikojnë për vizë në mënyrë që të hyjnë në territorin rus.
B. Qëndrimi i organizatave të ndryshme ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare
76. Komiteti Monitorues i PACE, FIDH dhe Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Mostolerancës (ECRI) kanë nënvizuar mungesën e dispozitave të përkohshme të Ligjit të 25 korrikut 2002 mbi Statusin Ligjor të Shtetasve të Huaj në Federatën Ruse dhe kompleksitetin e procedurave për marrjen e lejeqëndrimit, certifikatës së regjistrimit ose lejes së punës, çka i vë migrantët në pozitë të pasigurt (shih raportin e PACE, § 54, raporti i FIDH fq. 12-13, që po ashtu i referohen përfundimeve të datës 2 qershor 2003 nga Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD), (CERD), CERD/C/62C0/7, dhe raporti i tretë i ECRI i 16 dhjetorit 2005 mbi Federatën Ruse, ECRI (2006) 21).
C. Procedura e dëbimit administrativ
77. Çdo shtetas i huaj që shkel rregulloret e imigracionit të Federatës Ruse (nenet 18.8, 18.10 dhe 18.11 të Kodit të Veprave Administrative) u nënshtrohet dënimeve administrative dhe rrezikon dëbimin (neni 3.2). çdo vendim në lidhje me akuza të natyrës administrative që mund të rezultojë me dëbim nga Federata Ruse duhet të merret nga një gjyqtar në një gjykatë të zakonshme (neni 23.1 § 3). Apeli mund të bëhet në gjykatë ose gjykatë apeli brenda dhjetë ditësh (neni 30.1 § 1, 30.2 § 2 dhe 30. 3 § 1). Ky afat mund të shtyhet me kërkesë të apeluesit (neni 30.3 § 2). Apeli kundër urdhrit për dëbim administrativ duhet të shqyrtohet brenda një dite pas depozitimit të dokumenteve të apelit (neni 30.5 § 3), është i liruar nga tarifat e gjykatës dhe ka efekt pezullues (neni 31.1, 31.2 § 2, dhe 31.3 §§ 1, 2 dhe 3). Së fundi, një shtetas i huaj gjithashtu mund të bëjë apel pranë gjykatës shqyrtuese kundër një urdhri për dëbim administrativ që është bërë i zbatueshëm (vendimet e Gjykatës Kushtetuese të 22 prillit 2004 dhe 12 prillit 2005 mbi kushtetueshmërinë e neneve 30.11 §§ 1, 2 dhe 3 të Kodit të Veprave Administrative).
III. KËRKESAT E PALËVE
A. Qeveria kërkuese
78. Qeveria kërkuese i kërkoi Gjykatës të gjente
“I. Në lidhje me pranueshmërinë:
a. Që ankesat e kërkuesit janë të pranueshme meqenëse rregulla në lidhje me shterimin e mjeteve vendase nuk zbatohet në këto procedura. Kjo është për shkak se shkeljet e supozuara janë pjesë e një modeli të përsëritur veprash të papajtueshme me Konventën të cilat janë toleruar zyrtarisht nga autoritetet ruse dhe si të tilla kanë të bëjnë me praktikë administrative.
b. Përndryshe, që ankesat e kërkuesit janë të pranueshme meqenëse rregulla e shterimit të mjeteve vendase është e pazbatueshme sepse mjetet vendase të Federatës Ruse nuk kanë qenë efektive dhe të disponueshme brenda kuptimit të Konventës dhe ekzistonin rrethana të veçanta që i çlironin shtetasit gjeorgjianë dhe individët e përkatësisë etnike gjeorgjiane nga shterimi i tyre.
c. Që pretendimi është paraqitur brenda kufirit kohor gjashtë-mujor.
II. Themelet: Që Federata Ruse ka shkelur nenet 3, 5, 8, 13, 14 dhe 18 të Konventës, nenet 1 dhe 2 të Protokollit 1, nenin 4 të Protokollit 4 dhe nenin 1 të Protokollit 7.
III. Zgjidhja: Që Shteti kërkues ka të drejtë të ketë shpërblim të drejtë për këto shkelje duke kërkuar masa zgjidhëse dhe kompensim për palën e dëmtuar.”
79. Në lidhje me pikën e fundit ajo i kërkoi Gjykatës “të caktonte shpërblim të drejtë sipas nenit 41, pra, kompensim, dëmshpërblim, restitutio inintegrum, kostot, shpenzimet dhe lehtësime të tjera të specifikuara për të gjitha dëmet materiale dhe jo materiale të pësuara ose të shkaktuara për palët e dëmtuara si rezultat i shkeljeve dhe vijimit të këtyre procedurave.”
80. Në seancën mbi pranueshmërinë, Qeveria kërkuese shprehimisht tregoi se situatat individuale të përshkruara në kërkesën e saj dhe të referuara nga dëshmitarët gjeorgjianë gjatë seancave të tyre ishin aty vetëm për të ilustruar ekzistencën e një praktike administrative. Më tej, njëzet e tre kërkues gjeorgjianë (tre prej të cilëve ishin dëgjuar gjatë seancës së dëshmitarëve) gjithashtu kanë bërë kërkesa individuale pranë Gjykatës.
B. Qeveria përgjegjëse
81. Qeveria përgjegjëse, nga ana e saj, parashtroi që:
“seanca e dëshmitarëve nga delegacioni i gjyqtarëve të Dhomës së Madhe të Gjykatës mbështet plotësisht qëndrimin e autoriteteve të Federatës Ruse që kërkesa Gjeorgjia kundër Rusisë (1) ku pretendohen shkelje të neneve 3, 5, 8, 13, 14 dhe 18 të Konventës, neneve 1 dhe 2 të Protokollit Nr. 1, nenit 4 të Protokollit Nr. 4 dhe nenit 1 të Protokollit Nr. 7 të Konventës është e pabazuar. Gjatë seancës së dëshmitarëve, nuk u paraqit asnjë provë që të tregonte se në kohën relevante autoritetet e Federatës Ruse kanë zhvilluar praktika administrative dhe dëbime kolektive të shtetasve gjeorgjianë.
Gjatë seancës së dëshmitarëve, argumentet e autoriteteve ruse vërtetuan në mënyrë objektive që në Rusi ka zgjidhje efektive vendase të cilat dëshmitarët që ishin objekt i dëbimit administrativ nga territori i Rusisë, si dhe shtetasit e tjerë gjeorgjianë të cilët besonin se të drejtat e tyre ishin shkelur nga autoritetet ruse në kohën relevante, duhet t’i kishin shteruar para se të bënin apel pranë Gjykatës. Rrjedhimisht, duke pasur parasysh vendimin në lidhje me pranueshmërinë e kërkesës ndërshtetërore Gjeorgjia kundër Rusisë (1) të datës 3 qershor 2009, i cili ua bashkoi themeleve çështjen e ankesave për rregullën gjashtë-mujore dhe gjithashtu atë të shterimit të zgjidhjeve vendase, autoritetet e Federatës Ruse besojnë se kjo kërkesë nuk do të shqyrtohet mbi bazën e themeleve (shih vendimin e Gjykatës Markin kundër Rusisë, kërkesa nr. 59502/00, 30 mars 2006)”.
E DREJTA
I. KONSTATIMI I FAKTEVE DHE PARIMET E VLERËSIMIT TË PROVAVE
82. Para se të ndërmarrë shqyrtimin e themeleve dhe një vlerësim të provave mbi bazën e secilës ankesë, Gjykata do të konstatojë të gjitha provat me shkrim dhe me gojë të cilat i ka parasysh dhe parimet e vlerësimit që do të zbatojë.
A. Konstatimi i fakteve
83. Për të konstatuar faktet Gjykata është bazuar tek vërejtjet e palëve dhe tek dokumentet e shumta të paraqitura prej tyre si dhe në deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar në Strasburg.
84. Gjithashtu ajo ka marrë parasysh raportet nga organizatat ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare si Komiteti Monitorues i PACE, HRW, FIDH dhe raporti vjetor i vitit 2006 i Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Federatës Ruse (Ombudspersoni rus). Disa prej dokumenteve të paraqitura nga Qeveria kërkuese gjithashtu paraqiten në këto raporte.
1. Prova të mëtejshme me dokumente
85. Më tej, në letrat e 28 qershorit 2010 dhe 8 marsit 2011 si dhe gjatë seancave të dëshmitarëve Gjykata i kërkoi Qeverisë përgjegjëse që të paraqiste dokumentet e mëposhtme shtesë:
i) statistikat mujore lidhur me dëbimin e shtetasve gjeorgjianë gjatë viteve 2006 dhe 2007, për të mundësuar bërjen e krahasimit mes dëbimeve para dhe pas muajit tetor 2006 gjatë të cilit supozohet se filluan arrestimet dhe dëbimet masive të shtetasve gjeorgjianë; Qeveria përgjegjëse u përgjigj që ajo mbante vetëm statistika vjetore ose gjysmë-vjetore të cilat ia kishte paraqitur Gjykatës;
ii) dy qarkoret nr. 0215 dhe nr. 849 të fundit të shtatorit 2006 që ishin lëshuar nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit dhe Ministria e Brendshme e Federatës Ruse respektivisht, dokumente të cilave u referohen dokumentet e paraqitura nga Qeveria kërkuese; Qeveria përgjegjëse e kontestoi origjinalitetin e atyre dokumenteve dhe tha që nuk mund t’i paraqiste qarkoret në fjalë sepse ato ishin të klasifikuara “sekret shtetëror” (shih paragrafin 32 lart);
iii) dosjet lidhur me procedurat disiplinore kundër zyrtarëve rusë që kishin dërguar kërkesa në shkolla të ndryshme ruse ku kërkonin listat e nxënësve gjeorgjianë; Qeveria përgjegjëse paraqiti një kopje të disa dokumenteve ku tregohej se ishin vendosur dënime disiplinore ndaj zyrtarëve në fjalë;
iv) statistika rreth numrit të vendimeve të gjykatave ruse ndaj apeleve kundër vendimeve për dëbimin e shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës në fjalë (tetor 2006 deri në janar 2007); në letrën e tyre të përgjigjes më 15 prill 2011 Qeveria përgjegjëse përsëri tha që nuk kishte statistika mujore lidhur me dëbimin e shtetasve gjeorgjianë (kombësia e kryesve të veprave administrative nuk shënohej në statistikat e gjykatave të zakonshme dhe bazat elektronike të të dhënave për tërë Federatën Ruse kishin ekzistuar vetëm nga viti 2010), por që ajo mund të paraqiste informacione të përftuara manualisht për periudhën në fjalë nga gjykatat e tetëmbëdhjetë rajoneve të Federatës Ruse duke i dhënë Gjykatës kopje të 86 vendimeve të apelit. Duhet përmendur që vetëm 42 prej këtyre vendimeve kanë të bëjnë me shtetas gjeorgjianë të dëbuar gjatë periudhës në fjalë, 21 prej të cilave veçojnë vendime të gjykatës së shkallës së parë. Për më tepër, prej 86 vendimeve të apelit të paraqitura para Gjykatës, vetëm 8 kanë të bëjnë me qytetin e Moskës dhe 17 kanë të bëjnë me qytetin e Shën Peterburgut, ndërkohë që shumica e dëbimeve të shtetasve gjeorgjianë kanë ndodhur në ato dy qytete. Së fundi, një vendim apeli prej 8 vendimeve që kanë të bëjnë me Moskën dhe 12 vendime apeli nga 17 vendime që kanë të bëjnë me Shën Peterburgun ishin në lidhje me ri-delegimet drejt autoriteteve administrative për shkak se policët i kishin dërguar shtetasit gjeorgjianë direkt në gjykata pa i dërguar më parë në Shërbimin Federal të Migracionit siç kërkohet nga ligji.
2. Seanca dëgjimore e dëshmitarëve
86. Gjatë javës së 31 janarit deri më 4 shkurt 2011 delegacioni i gjyqtarëve të Dhomës së Madhe dëgjoi në total njëzet e një dëshmitarë, nëntë prej të cilëve ishin propozuar nga Qeveria kërkuese, dhjetë nga Qeveria përgjegjëse dhe dy ishin zgjedhur nga delegacioni.
87. Nëntë dëshmitarët e propozuar nga Qeveria kërkuese (përveç dëshmitarit nr. 8, bashkëshortja e të ndjerit Z. Togonidze e cila ishte dëshmitare “indirekte” e ngjarjeve, dhe Z. Pataridze, Konsulli i Gjeorgjisë në Federatën Ruse në kohën materiale) janë shtetas gjeorgjianë që ishin arrestuar, paraburgosur dhe dëbuar nga autoritetet ruse. Dëshmitë e tyre kishin të bënin me arrestimin, paraburgimin dhe dëbimin në vjeshtën e vitit 2006.
88. Dhjetë dëshmitarët e propozuar nga Qeveria përgjegjëse janë zyrtarë publikë të Federatës Ruse, dëshmitë e të cilëve kishin të bënin në mënyrë të veçantë me kushtet e arrestimit, paraburgimit dhe dëbimit të shtetasve gjeorgjianë, të dhëna statistikore dhe origjinaliteti i udhëzimeve të lëshuara nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit dhe qarkoreve të cilave iu referuan.
89. Dy dëshmitarët e zgjedhur nga Gjykata janë Z. Eörsi, raportuesi i Komitetit Monitorues të PACE në kohën materiale, dhe Z. Tugushi, zyrtar i të drejtave të njeriut në misionin e OSBE-së në Gjeorgji në kohën materiale.
90. Delegacioni gjithashtu kishte planifikuar të dëgjonte dëshmitarë të tjerë, përfshirë Z. Piotrovskiy, Zv/Kryetar i Drejtorisë Kryesore të Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit në kohën materiale, dhe siç presupozohet nënshkrues i udhëzimit të 2 tetorit 2006 që kishte për qëllim të “[rriste efektivitetin e zbatimit të ... qarkores nr. 0215 të datës 30.09.2006” (shih paragrafin 31 lart). Në ditën para seancës së tij dëgjimore përfaqësuesi i Qeverisë përgjegjëse tha që Z. Piotrovskiy ishte shtruar urgjent në spital dhe paraqiti një certifikate nga spitali në lidhje me atë fakt.
91. Delegacioni gjithashtu kishte dashur të dëgjonte Z. Lukin, Komisioner i të Drejtave të Njeriut në Federatën Ruse në kohën materiale, por ai nuk iu përgjigj fletëthirrjes së Gjykatës.
92. Së fundi, delegacioni gjithashtu kishte dashur të dëgjonte Znj. Pamfilova, Kryetare e Komitetit Këshillimor të Presidentit për të Drejtat e Njeriut dhe Shoqërinë Civile në Federatën Ruse në kohën materiale. Megjithatë, nuk qe e mundur që ajo të dëgjohej sepse, siç u shpjegua në një letër të 15 tetorit 2010, Qeveria përgjegjëse informoi Gjykatën që Znj. Pamfilova nuk ishte më zyrtare publike por individ privat dhe prandaj ajo nuk mund t’ia jepte Gjykatës adresën e saj. Këtu duhet përsëritur që Palët Kontraktuese kanë detyrimin që të t’ia dorëzojnë fletëthirrjen e gjykatës një dëshmitari që banon të territorin e tyre (shih nenin A5 § 4, fjalia e parë, e Shtojcës së Rregullores së Gjykatës).
B. Parimet e vlerësimit të provave
93. Gjatë vlerësimit të provave Gjykata iu përmbajt parimit të provave “përtej dyshimit të arsyeshëm” të konstatuar në dy çështje ndërshtetërore (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, § 161, Seria A nr. 25, dhe Qipro kundër Turqisë [GC], nr. 25781/94, § 113, ECHR 2001‑IV) të cilat, nga ajo kohë, janë bërë pjesë e praktikës së vendosur gjyqësore (shih, inter alia, Ilaşcu dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, § 26, ECHR 2004‑VII, dhe Davydov dhe të Tjerë kundër Ukrainës, nr. 17674/02 dhe nr. 39081/02, § 158, 1 korrik 2010).
94. Megjithatë, qëllimi i saj nuk ka qenë kurrë të huazojë qasjen e sistemeve ligjore kombëtare të cilat e përdorin atë standard në çështje penale. Roli i Gjykatës është që të marrë vendim jo në lidhje me fajin sipas të drejtës penale ose në lidhje me përgjegjësinë penale por mbi përgjegjësinë e Shteteve Kontraktuese sipas Konventës. Veçantia e detyrës së saj sipas nenit 19 të Konventës – garantimi i respektimit të të drejtave themelore të ngërthyera në Konventë – e kushtëzon qasjen e saj brenda çështjeve të provave materiale dhe konkrete. Në procedurat para Gjykatës, nuk ka barriera procedurale ndaj pranueshmërisë së provave ose formulë të paracaktuar për vlerësimin e tyre. Ajo del në përfundime të cilat, sipas mendimit të saj, janë të mbështetura mbi vlerësimin e lirë të të gjitha provave, përfshirë edhe nënkuptime që mund të dalin nga faktet dhe parashtrimet e palëve. Sipas praktikës së saj gjyqësore të vendosur, provat mund të dalin nga bashkekzistenca e nënkuptimeve mjaftueshëm të forta, të qarta dhe të përputhshme ose nga prezumime ngjashëm të pakontestueshme të fakteve. Më tej, niveli i bindjes që nevojitet për arritjen e një përfundimi të caktuar dhe, në këtë pikë, shpërndarja e barrës së provave janë pazgjithshmërisht të lidhura me veçantinë e fakteve, me natyrën e akuzave të ngritura dhe me të drejtat e Konventës që janë në rrezik. Gjykata gjithashtu i kushton vëmendje seriozitetit që i jep një vendimi që një Shtet Kontraktues ka shkelur të drejtat themelore (shih, inter alia, Nachova dhe të Tjerë kundër Bullgarisë [GC], nr. 43577/98 dhe nr. 43579/98, § 147, ECHR 2005-VII, dhe Mathew kundër Holandës, nr. 24919/03, § 156, ECHR 2005‑IX).
95. Duke konstatuar ekzistencën e një praktike administrative, Gjykata nuk do të mbështetet mbi konceptin që barra e provave mbahet nga njëra ose tjetra prej dy Qeverive të përfshira, por do të studiojë të gjitha materialet para saj, pavarësisht nga burimi i secilit prej tyre (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe Qipro kundër Turqisë, cituar lart, ibid.). Më tej, sjellja e palëve në lidhje me përpjekjet e Gjykatës për të mbledhur prova mund të përbëjë një element për t’u marrë parasysh (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar; Ilaşcu dhe të Tjerë; dhe Davydov dhe të Tjerë, cituar lart, ibid.).
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 38 TË KONVENTËS
96. Duke pasur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të Qeverisë përgjegjëse për të paraqitur para Gjykatës kopje të dy qarkoreve nr. 0215 dhe nr. 849 të fundit të shtatorit 2006, të lëshuara nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit dhe Ministria e Brendshme e Federatës Ruse respektivisht (shih paragrafin 30 lart), Gjykata e konsideron të udhës që ta fillojë shqyrtimin e kësaj çështjeje duke analizuar nëse Qeveria përgjegjëse ka vepruar në pajtim me detyrimin e saj procedural sipas nenit 38 të Konventës, i cili thotë si vijon:
“Gjykata e shqyrton çështjen së bashku me përfaqësuesit e palëve dhe, nëse është e nevojshme, ndërmerr një hetim, për kryerjen e efektshme të të cilit Palët e Larta Kontraktuese të interesuara ofrojnë të gjitha lehtësitë e nevojshme.”
A. Parashtrimet e palëve
1. Qeveria kërkuese
97. Qeveria kërkuese parashtroi që Qeveria përgjegjëse nuk kishte dhënë shpjegime të mjaftueshme për refuzimin e saj për t’i ofruar Gjykatës qarkoret nr. 0215 dhe nr. 849. Duke iu referuar praktikës gjyqësore përkatëse të Gjykatës, ajo i kërkoi Gjykatës që të nxirrte nënkuptime të favorshme në lidhje me mirë-bazueshmërinë e pretendimeve të saj dhe të dilte në përfundimin që ka pasur shkelje të nenit 38 të Konventës.
2. Qeveria përgjegjëse
98. Qeveria përgjegjëse, nga ana e saj, deklaroi që ajo nuk ishte në pozitë që t’i paraqiste Gjykatës qarkoret sepse ato ishin të klasifikuara “sekret shtetëror” dhe nuk mund të zbuloheshin. Sipas Ministrisë së Brendshme të Federatës Ruse, qarkoret nuk përmbanin urdhër që u kërkonte njësive administrative të Federatës Ruse të merrnin masa që shkelnin me qëllim të drejtat e shtetasve gjeorgjianë. Në seancën e dëshmitarëve Z. Nikishin, Zv/Kryetar i Departamentit Ligjor, Ministria e Brendshme, Moskë, në kohën materiale, konfirmoi që udhëzimi i 2 tetorit 2006 që thuhej të ishte lëshuar nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme e Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit ishte fals dhe që dy qarkoret Nr. 0215 dhe nr. 849 (kjo e fundit ishte telegram) ishin të klasifikuara “sekret shtetëror” dhe u referoheshin grupeve të ndryshme kriminale, por nuk kishte referenca selektive ndaj shtetasve gjeorgjianë. Zbulimi i tyre ishte i ndaluar me ligjet ruse...
B. Verësimi i Gjykatës
1. Parimet e përgjithshme
99. Gjykata përsërit parimet e përgjithshme të mëposhtme të cilat ajo i ka zhvilluar në lidhje me kërkesat individuale dhe të cilat duhet të zbatohen në kërkesat ndërshtetërore:
“... është jashtëzakonisht e rëndësishme për funksionimin efektiv të sistemit të peticioneve individuale të nisura sipas nenit 34 të Konventës që Shtetet duhet të sigurojnë të gjitha lehtësitë e nevojshme për të bërë të mundur shqyrtimin e duhur dhe efektiv të kërkesave. Ky detyrim kërkon që Shtetet Kontraktuese t’i ofrojnë Gjykatës të gjitha lehtësitë e nevojshme, qofshin ato zhvillimi i hetimeve faktmbledhëse ose kryerja e detyrave të saj të përgjithshme në lidhje me shqyrtimin e kërkesave. Dështimi nga ana e Qeverisë për të paraqitur informacione të tilla që i ka në duart e saj pa një shpjegim të kënaqshëm jo vetëm që mund t’i japë shkas nxjerrjes së nënkuptimeve lidhur me mirë-bazueshmërinë e pretendimeve të kërkuesit, por gjithashtu mund të reflektojë negativisht tek niveli i pajtueshmërisë së një Shteti përgjegjës me detyrimet e tij nga neni 38 i Konventës (shih Tahsin Acar kundër Turqisë [GC], nr. 26307/95, §§ 253-54, ECHR 2004‑III; Timurtaş kundër Turqisë, nr. 23531/94, §§ 66 dhe 70, ECHR 2000‑VI; dhe Tanrıkulu kundër Turqisë [GC], nr. 23763/94, § 70, ECHR 1999‑IV).”
(shih Janowiec dhe të Tjerë kundër Rusisë [GC], nr. 55508/07 dhe nr. 29520/09, § 202, ECHR 2013).
2. Zbatimi i këtyre parimeve
100. Në këtë çështje Gjykata shënon se në një letër të datës 28 qershor 2010 ajo i kërkoi Qeverisë përgjegjëse t’i jepte një kopje të qarkoreve nr. 0215 dhe nr. 849 – gjë e cila përmendet në Udhëzimin nr. 122721/08 të 2 tetorit 2006 të lëshuar nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme e Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit, dhe notën informative të 18 tetorit 2006 të lëshuar nga Shërbimi Federal i Migracionit (shih paragrafët 30 deri në 31 lart) – të cilat ajo i konsideron si dokumente thelbësore për të konstatuar faktet e çështjes.
101. Në seancën e dëshmitarëve delegacioni i gjyqtarëve e përsëriti gojarisht para përfaqësuesit të Qeverisë përgjegjëse kërkesën e Gjykatës për një kopje të dy qarkoreve, duke ia tërhequr vëmendjen drejt nenit 44 A-C (Detyra për bashkëpunim me Gjykatën) dhe nenit 33 (Natyra publike e dokumenteve) të Rregullores së Gjykatës.
102. Në një letër të dytë të datës 8 mars 2011 Gjykata e përsëriti kërkesën e saj me shkrim dhe gjithashtu iu referua dy neneve të lartpërmendura, duke cekur shprehimisht, në pajtim me tekstin e nenit 44C që “kur një palë nuk paraqet prova ose nuk jep informacione me mocion të vetin ose ndryshe nuk merr pjesë në mënyrë efektive në procedura, Gjykata mund të nxjerrë nënkuptimet ashtu siç e sheh të arsyeshme.”
103. Qeveria përgjegjëse, nga ana e saj, nuk e kontestoi ekzistencën e qarkoreve, por parashtroi se përmbajtja e tyre nuk përputhej me pretendimet e Qeverisë kërkuese, duke refuzuar që t’i paraqiste Gjykatës kopje për shkak se ato ishin të klasifikuara “sekret shtetëror” dhe zbulimi i tyre ishte i ndaluar me ligjet ruse.
104. Gjykata përsërit që “në rastet kur ka deklarime kundërthënëse të ngjarjeve, Gjykata gjatë konstatimit të fakteve në mënyrë të paevitueshme përballet me të njëjtat vështirësi me të cilat përballet çdo gjykatë e shkallës së parë. Në rastet kur, ashtu si në çështjen konkrete, Qeveria përgjegjëse ka qasje ekskluzive në informacionet që mund të vërtetojnë ose të hedhin poshtë pretendimet e [Qeverisë] kërkuese, çdo mungesë bashkëpunimi nga Qeveria pa shpjegime bindëse mund t’i japin shkas nxjerrjes së nënkuptimeve në lidhje me mirë-bazueshmërinë e pretendimeve të [Qeverisë] kërkuese (shih Imakayeva kundër Rusisë, nr. 7615/02, § 111, ECHR 2006‑XIII (pjesë të shkëputura)).
105. Më tej, siç është parë tashmë në çështjet e lidhura me dokumentet e klasifikuara “sekret shtetëror”, Qeveria përgjegjëse nuk mund të bazohet në dispozitat e të drejtës vendase për të justifikuar refuzimin e saj për të vepruar në përputhje me kërkesën e Gjykatës për paraqitjen e provave (shih, mutatis mutandis, Davydov dhe të Tjerë, cituar lart, § 170; Nolan dhe K. Kundër Rusisë, nr. 2512/04, § 56, 12 shkurt 2009; dhe Janowiec dhe të Tjerë, cituar lart, § 206).
106. Së fundi, Gjykata shënon në çështjen konkrete që Qeveria përgjegjëse ka dështuar në ofrimin e një shpjegimi të posaçëm rreth sekretësisë së qarkoreve në fjalë. Prandaj, ajo ka dyshime serioze në lidhje me atë klasifikim meqenëse, edhe sikur ato të ishin dokumente të brendshme, në mënyrë që të zbatoheshin ato qarkore duhet t’i paraqiteshin një numri të madh të zyrtarëve publikë në nivele të ndryshme administrative.
107. Gjykata përsërit që një prej kritereve që ajo ka përdorur në vlerësimin e sekretësisë së një dokumenti është nëse ai është i njohur për ndokënd jashtë shërbimit sekret të inteligjencës dhe zyrtarëve më të lartë të Shtetit (shih, mutatis mutandis, Nolan dhe K., cituar lart, § 56, dhe Janowiec dhe të Tjerë, cituar lart, § 206).
108. Edhe sikur të presupozohet që Qeveria përgjegjëse kishte interesa legjitime të sigurisë në mos-zbulimin e qarkoreve në fjalë, duhet të theksohet se Gjykata ia kishte tërhequr vëmendjen drejt mundësive të parashikuara nga neni 33 § 2 i Rregullores së Gjykatës të kufizimit të qasjes publike (shih, mutatis mutandis, Shamayev dhe të Tjerë kundër Gjeorgjisë dhe Rusisë, nr. 36378/02, §§ 15-17, 246 dhe 362, ECHR 2005‑III, ku Kryetari i Dhomës kishte dhënë garanci për konfidencialitetin e dokumenteve të caktuara të paraqitura nga Qeveria ruse).
109. Duke pasur parasysh të gjithë këto faktorë, Gjykata konsideron që Qeveria përgjegjëse nuk ka përmbushur detyrimin e saj për t’i ofruar Gjykatës të gjitha lehtësitë e nevojshme që ajo të kryejë detyrën e saj të konstatimit të fakteve të çështjes, siç kërkohet nga neni 38 i Konventës. Ajo do të nxjerrë nënkuptimet siç e sheh të udhës në lidhje me mirë-bazueshmërinë e pretendimeve të Qeverisë kërkuese mbi bazën e themeleve.
110. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të nenit 38 të Konventës.
III. EKZISTENCA E PRETENDUAR E NJË PRAKTIKE ADMINISTRATIVE, SHTERIMI I MJETEVE VENDASE, DHE RREGULLA E GJASHTË MUAJVE
111. Gjykata përsërit që në vendimin e saj lidhur me pranueshmërinë Dhoma shënoi ekzistencën e “provave prima facie” të një praktike administrative, por ua bashkoi themeleve “shqyrtimin e të gjitha çështjeve të tjera të lidhura me ekzistencën dhe fushëveprimin e një praktike të tillë administrative, si dhe pajtueshmërinë e saj me dispozitat e Konventës” dhe çështjen e zbatimit të rregullës gjashtë-mujore. Gjithashtu, ajo u bashkoi themeleve, si elemente të lidhura ngusht me ekzistencën e një praktike administrative, “çështjen e zbatimit të rregullës së shterimit të mjeteve vendase dhe të vepruarit në përputhje me të në rrethanat e çështjes konkrete” (shih Gjeorgjia kundër Rusisë (I) (dec.), nr. 13255/07, §§ 44‑46 dhe 50, 30 qershor 2009).
A. Praktika administrative dhe shterimi i mjeteve vendase
1. Parashtrimet e palëve
a. Praktika administrative
i. Parashtrimet e Qeverisë kërkuese
112. Qeveria kërkuese argumentoi, si parashtrim kryesor i saj, që dy elementet përbërëse të një praktike administrative, pra, përsëritja e veprimeve dhe toleranca zyrtare, kanë qenë të pranishme në këtë rast.
113. Për sa i përket përsëritjes së veprimeve, dëshmitarët e ftuar nga Qeveria kërkuese kishin konfirmuar para delegacionit të gjyqtarëve të Dhomës së Madhe që arrestimi, paraburgimi dhe dëbimi i shtetasve gjeorgjianë nga Federata Ruse në vjeshtën e vitit 2006 kishin qenë të natyrës së organizuar. Më tej, ndërkohë që ata nuk kishin hasur në vështirësi më përpara, dokumentet e tyre papritmas nuk kishin qenë më në rregull. Kjo ishte provë e mëtejshme e faktit që veprimet e autoriteteve ruse kishin qenë mjaftueshëm të shumta dhe të mirorganizuara për të dalë në përfundimin që kishte pasur një model të caktuar të shkeljeve, duke lënë jashtë argumentin që këto kishin qenë raste të jashtëzakonshme dhe të izoluara. Ekzistenca e një praktike administrative bëhej edhe më e dukshme nëse merrej parasysh numri i shtuar i shtetasve gjeorgjianë të dëbuar në vjeshtën e vitit 2006 në krahasim me muajt ose vitet e mëparshme. Kjo po ashtu vërtetohej nga fakti që Qeveria përgjegjëse nuk e kishte kontestuar që ajo i kishte pezulluar shërbimet postare me Gjeorgjinë, dhe që më 5 nëntor 2006 Asambleja Federale (legjislature dydhomëshe) e Federatës Ruse kishte shtrënguar masat e miratuara kundër shkeljeve të ligjeve të imigracionit. Së fundi, Qeveria kërkuese iu referua raporteve të disa organizatave ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare (përfshirë në mënyrë të veçantë raportin e HRW) dhe të mediave në lidhje me problemin e racizmit dhe ksenofobisë në Federatën Ruse në përgjithësi si dhe të politikës anti-gjeorgjiane e cila ishte manifestuar në vjeshtën e vitit 2006.
114. Për sa i përket tolerancës zyrtare, Qeveria kërkuese iu referua në mënyrë të veçantë raportit të HRW i cili tregonte që edhe nivelet e ulëta edhe ato të larta të Qeverisë ruse kishin punuar së bashku për të zhvilluar dëbime masive të gjeorgjianëve. Raporti i referohej inspektimit të gjerë të dokumenteve të gjeorgjianëve etnikë nga policia dhe, mbi të gjitha, udhëzimeve nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme e Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit dhënë policisë, Shërbimit Federal të Migracionit dhe gjykatave për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të identifikuar dhe dëbuar shtetasit gjeorgjianë. Për më tepër, deklaratat e viktimave dhe raportet nga organizatat ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare dhe media vërtetonin si ekzistencën e udhëzimeve të bazuara mbi qarkoret nr. 0215 dhe nr. 849 ashtu edhe përmbajtjen së atyre qarkoreve. Qeveria kërkuese iu referua në mënyrë të veçantë raportit vjetor të Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Federatës Ruse për vitin 2006. Së fundi, kërkesat për listat e nxënësve gjeorgjianë me qëllim të identifikimit të prindërve të tyre ishin dërguar nga zyrtarët rusë në disa shkolla në Federatën Ruse. Fakti që personat që i kishin bërë kërkesa të tilla, të cilat ishin qartazi të paligjshme, nuk ishin ndëshkuar si duhet ishte provë e politikës diskriminuese të zhvilluar kundër shtetasve gjeorgjianë në vjeshtën e vitit 2006.
ii. Parashtrimet e Qeverisë përgjegjëse
115. Qeveria përgjegjëse i mohoi ato pretendime. Sipas pikëpamjes së saj, seanca e dëshmitarëve e mbajtur nga delegacioni i gjyqtarëve të Dhomës së Madhe nuk kishte nxjerrë prova që konfirmonin pohimet e autoriteteve gjeorgjiane që Federata Ruse, në përgjigje të arrestimeve të zyrtarëve rusë të akuzuar për spiunazh, kishte organizuar dhe autorizuar shtypjen e shtetasve gjeorgjianë dhe kishte organizuar arrestimin e paligjshëm dhe dëbimin kolektiv masiv të tyre.
116. Qeveria përgjegjëse parashtroi që veprimet e saj kundër shtetasve gjeorgjianë në lidhje me përgjegjësinë e tyre për vepra administrative dhe masat që i dëbuan ata nga territori rus kishin qenë në pajtim me ligjin dhe kishin synuar një qëllim legjitim, dhe nuk kishin qenë asnjëherë të lidhura ose të motivuara nga statusi etnik i shtetasve gjeorgjianë ose kombësia e tyre. Autoritetet ruse kurrë nuk kishin ushtruar ndaj shtetasve gjeorgjianë ndonjë praktikë administrative osë dëbim kolektiv brenda kuptimit të Konventës.
117. Ajo mori në konsideratë të veçantë faktin që Qeveria kërkuese nuk kishte ofruar prova të origjinalitetit të udhëzimeve të lëshuara nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme e Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit – përfshirë atë të 2 tetorit 2006 të nënshkruar nga Z. Piotrovskiy një “kopje” e supozuar e së cilës u shfa, mes të tjerash, në Shtojcën e raportit të PACE, raportit të HRQ dhe raportit të Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Federatës Ruse – duke iu referuar koordinimit të një politike dëbuese mes autoriteteve administrative dhe gjyqësore që kishte në shënjestër të veçantë shtetasit gjeorgjianë. Vetëm përmendja e një koordinimi të tillë ishte veçanërisht absurde sepse gjykatat ruse ishin të pavarura nga ekzekutivi. Më tej, gjatë seancës së dëshmitarëve zyrtarët rusë kishin konfirmuar që asnjë udhëzim i tillë nuk ishte lëshuar asnjëherë. E njëjta gjë vlente edhe për urdhrin e 2 tetorit 2006 nga personi në Rolin e Shefit të Policisë së Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit dhe për notën informative të 18 tetorit 2006 nga Shërbimi Federal i Migracionit. Të vetmet udhëzime të cilave u ishin referuar zyrtarët rusë kishin qenë ato të lëshuara nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm i cili u kishte kërkuar të gjithë prokurorëve që të përforconin mbikëqyrjen e tyre me qëllim të garantimit të respektimit të të drejtave dhe lirive kushtetuese të shtetasve të CIS (shih paragrafin 38 lart). Për sa u përket qarkoreve nr. 0215 dhe nr. 849 mbi të cilat kinse ishin mbështetur ato udhëzime si dhe urdhri dhe nota informative, Qeveria përgjegjëse e kontestoi përmbajtjen e tyre siç ishte pretenduar nga Qeveria kërkuese.
118. Më tej, zyrtarët rusë të cilët kishin kërkuar paraqitjen e listave të nxënësve gjeorgjianë nga shkollat në Federatën Ruse ishin raste të izoluara (ishin bërë vetëm katër kërkesa të tilla gjithsej në lidhje me dy njësi administrative) dhe ishin ndëshkuar si duhet, siç ishte konfirmuar në seancën e dëshmitarëve.
119. Qeveria përgjegjëse gjithashtu kotenstoi provat statistikore të paraqitura nga Qeveria kërkuese, duke konsideruar që referenca nga autoritetet gjeorgjiane ndaj dëbimit masiv pa precedent të shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës së shqyrtuar për të vërtetuar akuzat e një “fushate anti-gjeorgjiane” masive nuk mbështeteshin në të dhëna statistikore zyrtare. Ajo kontestoi, në përgjithësi, rëndësinë e informacionit të dhënë në disa raporte të caktuara, përfshirë, në mënyrë të veçantë, raportin e HRQ dhe raportin e Komitetit Monitorues të PACE, duke pretenduar se këto bazoheshin në masë të madhe mbi deklaratat e autoriteteve gjeorgjiane ose shtetasit gjeorgjianë dhe ishin të pavërtetuara nga dokumente ose prova të tjera të pranueshme. Prandaj, ato raporte nuk mund të shërbenin si bazë për të mbështetur përfundimin që kishte pasur shkelje serioze nga Qeveria përgjegjëse.
b. Shterimi i mjeteve vendase
i. Parashtrimet e Qeverisë kërkuese
120. Përndryshe, dhe sikur rregulla e shterimit të mjeteve vendase të zbatohej në rastin konkret, Qeveria kërkuese parashtroi që zgjidhjet e përmendura nga Qeveria përgjegjëse ishin jo efektive dhe jo në dispozicion në kontekstin specifik të çështjes. Më tej, konteksti i përgjithshëm i fushatës anti-gjeorgjiane të zhvilluar nga autoritetet ruse që rezultoi në shkelje masive të të drejtave të njeriut i kishte përjashtuar shtetasit gjeorgjianë nga detyra për t’i përdorur ato mjete.
Në mënyrë të veçantë, gjatë kohës që ata ndodheshin ende në Federatën Ruse, shtetasit gjeorgjianë nuk kishin apeluar kundër urdhrave të dëbimit sepse nuk kishin qenë të informuar në lidhje me atë mundësi dhe në disa raste madje ishin detyruar nga zyrtarët rusë që të nënshkruanin formularë ku hiqnin dorë nga e drejta për apel. Rrjedhimisht, pasi ishin dëbuar, ata nuk kishin pasur mundësi më të bënin apel sepse të gjitha mjetet e komunikimit mes dy Shteteve ishin ndërprerë dhe nuk kishte qenë e mundur të përdoreshin shërbimet e konsullatës gjeorgjiane në Federatën Ruse ose ato të konsullatës së Federatës Ruse në Gjeorgji. Më tej, urdhrat e dëbimit kishin qenë subjektive dhe kishin shkelur rregullat e Kodit rus të Veprave Administrative sipas të cilit vendime të tilla nuk mund të zbatoheshin para përfundimit të periudhës së apelit prej maksimumi njëmbëdhjetë ditësh (shih paragrafin 77 lart). Së fundi, mangësitë e vendimeve të parashtruara nga Qeveria përgjegjëse në letrën e saj të 15 prillit 2011 (shih paragrafin 85 in fine lart) konfirmoi që zgjidhjet në vend kishin qenë jo efektive në kohën materiale.
ii. Parashtrimet e Qeverisë përgjegjëse
121. Në parashtrimin e Qeverisë përgjegjëse, ishte e qartë nga seanca e dëshmitarëve që të gjithë shtetasit gjeorgjianë të thirrur nga Qeveria kërkuese kishin qenë me qëndrim të paligjshëm në Federatën Ruse dhe mund të kishin shfrytëzuar zgjidhjet efektive vendase në dizpozicion me anë të të cilave të kontestonin urdhrat e dëbimit. Para dëbimit faktik, ata mund të kishin apeluar, ose mund të kishin kërkuar shqyrtimin gjyqësor, ose mund të kishin apeluar në lidhje me pika të caktuara të ligjit, kundër vendimeve gjyqësore të marra kundër tyre. Në letrën e tyre të 15 prillit 2011 dërguar si përgjigje Gjykatës me kërkesë të kësaj të fundit, autoritetet ruse kishin përshkruar me hollësi mbrojtjet ligjore në dispozicion sipas ligjeve ruse të cilat ofronin mbrojtje gjyqësore në rast shkeljesh të tilla dhe një listë me shembuj të vendimeve të gjykatave ruse mbi apelin në procedura të ngritura nga shtetas gjeorgjianë. Ai informacion ishte tërësisht në përputhje me të dhënat statistikore rreth numrit të shtetasve gjeorgjianë të dëbuar nga Rusia dhe me deklaratat e autoriteteve ruse që pohonin se ata kurrë nuk kishin zhvilluar “fushatë anti-gjeorgjiane” në kohën materiale dhe as nuk kishin kryer dëbimin kolektiv të shtetasve gjeorgjianë. Shtetasit gjeorgjianë po ashtu mund të kishin bërë kërkesë pranë prokurorisë publike, e cila sipas ligjeve ruse kishte fuqinë të ngrinte apel (протест) në lidhje me pika të caktuara të së drejtës ose të kërkonte shqyrtimin e vendimit.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a. Parime të përgjithshme
122. Gjykata përsërit që praktika administrative përmbledh dy element: “përsëritjen e veprimeve” dhe “tolerancën zyrtare” (shih Franca, Norvegjia, Danimarka, Suedia dhe Holanda kundër Turqisë, me numrat 9940‑9944/82, vendimi i Komisionit i 6 dhjetorit 1983, § 19, DR 35, dhe Qipro kundër Turqisë, cituar lart, § 99).
123. Për sa i përket “përsëritjes së veprimeve”, Gjykata i përshkruan këto si “akumulim i shkeljeve identike ose të ngjashme të cilat janë aq të shumta dhe të ndërlidhura saqë nuk përbëjnë thjesht incidente të izoluara ose përjashtime por një model ose sistem të caktuar” (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, §159, dhe Qipro kundër Turqisë, cituar lart, § 115).
124. Me “tolerancë zyrtare” nënkuptohet që “tolerohen veprime të paligjshme pra eprorët e personave konkretisht përgjegjës, megjithëse në dijeni të këtyre veprimeve, nuk ndërmarrin veprime për të dënuar ose parandaluar përsëritjen e tyre; ose që një autoritet më i lartë, përballë akuzave të shumta, tregon indiferencë përmes refuzimit të hetimeve të duhura rreth vërtetësisë ose pavërtetësisë së tyre, ose në procedura gjyqësore mohohet seanca e drejtë për dëgjimin e këtyre akuzave”. Në lidhje me këtë elementin e fundit të përmendur Komisioni shtoi se “çdo veprim i ndërmarrë nga një autoritet më i lartë duhet të jetë në masë të atillë që të jetë e mjaftueshme për t’i dhënë fund përsëritjes së veprimeve ose për të ndërprerë modelin ose sistemin” (shih Franca, Norvegjia, Danimarka, Suedia dhe Holanda kundër Turqisë, cituar lart, ibid.). Në lidhje me këtë Gjykata ka vërejtur se “është e pakonceptueshme që autoritetet më të larta të një Shteti të mos kenë, ose të paktën t’u takojë që të mos kenë, njohuri në lidhje me ekzistencën e një praktike të tillë. Më tej, sipas Konventës ato autoritete janë rreptësisht përgjegjëse për sjelljen e vartësve të tyre; ata janë nën detyrimin për të imponuar vullnetin e tyre mbi vartësit dhe nuk mund të strehohen pas pamundësisë së tyre për të siguruar respektimin e tij” (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, § 159).
125. Për sa i përket rregullës së shterimit të mjeteve vendase, Gjykata përsërit që, sipas praktikës së saj gjyqësore në çështjet ndërshtetërore, rregulla në parim nuk zbatohet aty ku Qeveria kërkuese “ankohet për një praktikë të tillë, me qëllim të parandalimit të vazhdimit ose përsëritjes së saj, por nuk i kërkon ... Gjykatës të marrë një vendim mbi secilin prej rasteve që paraqiten si prova ose ilustrime të asaj praktike” (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, § 159). Sido që të jetë, ajo nuk zbatohet “aty ku një praktikë administrative, pra përsëritja e veprimeve të papajtueshme me Konventën, dhe toleranca zyrtare nga Shteti është vërtetuar se ekziston dhe është e një natyre të atillë që i bën procedurat të kota ose jo efektive” (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, ibid; Akdivar dhe të Tjerë kundër Turqisë, 16 shtator 1996, § 67, Raporte të Vendimeve 1996‑IV; dhe Qipro kundër Turqisë, cituar lart, §99).
126. Megjithatë, çështja e efektivitetit dhe disponibilitetit të zgjidhjeve vendase mund të shihet si provë shtesë e faktit nëse një praktikë e tillë ekziston (shih, posaçërisht, Qipro kundër Turqisë, cituar lart, § 87).
127. Gjykata konsideron që një shqyrtim i kësaj çështjeje së bashku me çështjen e ekzistencës së një praktike administrative është posaçërisht me vend në çështjen konkrete.
b. Zbatimi i këtyre parimeve
i. Praktika administrative
128. Në çështjen në fjalë Gjykatës nuk i kërkohet të marrë vendim mbi shkeljet individuale të të drejtave të garantuara nga Konventa; megjithatë, çështjet individuale që janë sjellë në vëmendje të saj mund të shqyrtohen si prova të një praktike të mundshme (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, § 157 in fine).
129. Për të përcaktuar nëse ka pasur një praktikë administrative, Gjykata do të vlerësoje provat që ka në dispozicion nën dritën e kritereve të përkufizuara më lart (shih paragrafët 93 deri në 95 lart).
130. Në këtë lidhje, ajo shënon pikësëpari që të dhënat statistikore të nxjerra nga palët ndryshojnë, për sa i përket numrit të saktë të shtetasve gjeorgjianë të arrestuar, të paraburgosur dhe të dëbuar gjatë periudhës në fjalë (fundi i shtatorit 2006 deri në fund të janarit 2007) (shih paragrafët 27 deri në 28 lart).
131. Në fakt, Qeveria kërkuese pretendoi se 4,634 urdhra ishin lëshuar gjatë asaj periudhe kundër shtetasve gjeorgjianë, prej të cilëve 2,380 ishin paraburgosur dhe dëbuar me forcë, ndërsa 2,254 të tjerët ishin larguar nga vendi me mjetet e veta, ku numri i dëbimeve të regjistruara nga fillimi i tetorit 2006 ishte rritur drastikisht në krahasim me periudhën e mëparshme.
132. Qeveria përgjegjëse, nga ana e saj, ndërkohë që pohonte se kishte vetëm statistika vjetore ose gjysmë-vjetore, deklaroi që në vitin 2006, ishin lëshuar 4,022 urdhra administrativë dëbimi kundër shtetasve gjeorgjianë dhe shtoi se mes 1 tetorit 2006 dhe 1 prillit 2007 ishin 2,862 shtetas gjeorgjianë ndaj të cilëve ishin lëshuar urdhra dëbimi.
133. Gjykata shënon që Qeveria përgjegjëse paraqiti statistika në lidhje me një periudhë që shkonte prej 1 tetorit 2006 deri më 1 prill 2007, çka nuk përputhet me gjysmë-vitin kalendarik dhe sugjeron që janë mbajtur statistika mujore.
134. Duke pasur parasysh dështimin në komunikimin e statistikave mujore për vitet 2006 dhe 2007, Gjykata nuk është në pozitë të atillë që të pranojë që numri i treguar nga Qeveria përgjegjëse përputhet me numrin e saktë të shtetasve gjeorgjianë të dëbuar gjatë periudhës në fjalë.
135. Rrjedhimisht, ajo konsideron që nuk ka asgjë që t’ia mundësojë asaj konstatimin që pretendimet e Qeverisë kërkuese lidhur me numrin e shtetasve të dëbuar gjatë periudhës në fjalë dhe rritja drastike e tyre në krahasim me periudhën para tetorit 2006 nuk janë të besueshme. Prandaj, në kuadër të shqyrtimit të kësaj çështjeje nga ana e saj, ajo supozon që gjatë periudhës në fjalë janë lëshuar më shumë se 4,600 urdhra dëbimi kundër shtetasve gjeorgjianë, prej të cilëve rreth 2,380 janë paraburgosur dhe dëbuar me forcë.
136. Duke parë tërë materialin në posedim të saj, Gjykata vëren se ngjarjet në fjalë kanë ndodhur në të njëjtën kohë, pra, në fund të shtatorit ose fillim të tetorit 2006: lëshimi i qarkoreve dhe udhëzimeve, arrestimet dhe dëbimet masive të shtetasve gjeorgjianë, fluturimet nga Moska për në Tbilisi dhe letrat dërguar nga zyrtarët rusë shkollave. Njëkohësisht, përputhja e përshkrimit të ngjarjeve të kundërshtuara e dhënë nga organizatat ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare është domethënëse në këtë aspekt (shih paragrafët 63 deri në 74 lart).
137. Qeveria përgjegjëse kontestoi vlerën provuese të informacionit të përmbajtur në raportet e këtyre organizatave.
138. Megjithatë, Gjykata do të përsëriste që, “meqenëse është zot i procedurave dhe rregullave të veta, ajo ka liri të plotë në vlerësimin jo vetëm të pranueshmërisë dhe rëndësisë por gjithashtu edhe të vlerës provuese të secilës provë para saj” (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, § 210 in fine). Ajo shpesh i ka dhënë rëndësi informacioneve të përmbajtura nga raportet e kohëve të fundit nga burimet e shoqatave të pavarura ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose atyre qeveritare (shih, mutatis mutandis, Saadi kundër Italisë [GC], nr. 37201/06, § 131, ECHR 2008; NA. Kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 25904/07, § 119, 17 korrik 2008; M.S.S. Blegjikës dhe Greqisë [GC], nr. 30696/09, §§ 227 dhe 255, ECHR 2011; dhe Hirsi Jamaa dhe të Tjerë kundër Italisë [GC], nr. 27765/09, § 118, ECHR 2012). Për të vlerësuar besueshmërinë e këtyre raportieve, kriteret relevante janë autoriteti dhe reputacioni i autorëve të tyre, serioziteti i hulumtimeve përmes të cilave janë hartuar, qëndrueshmëria e përfundimeve të tyre dhe fakti nëse janë të mbështetura në burime të tjera (shih, mutatis mutandis, Saadi, cituar lart, § 143; NA., cituar lart, § 120; dhe Sufi dhe Elmi kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8319/07 dhe nr. 11449/07, § 230, 28 qershor 2011).
139. Në rastin konkret, duke pasur parasysh thellësinë e hulumtimeve mbi bazën e të cilave u hartuan këto raporte dhe faktin që për sa u përket pikave të diskutimit në fjalë përfundimet e tyre përmbledhin dhe konfirmojnë deklaratat e dëshmitarëve gjeorgjianë, Gjykata nuk sheh arsye të vërë në pyetje besueshmërinë e këtyre raporteve.
140. Për më tepër, Gjykata konsideron që pas gjetjes prej saj të një shkeljeje të nenit 38 të Konventës, ka supozime të forta që pretendimet e Qeverisë kërkuese lidhur me përmbajtjen e qarkoreve që urdhërojnë dëbimin posaçërisht të shtetasve gjeorgjianë janë të besueshme.
141. E njëjta gjë vlen edhe për sa i përket origjinalitetit të dokumenteve të tjera të paraqitura nga Qeveria kërkuese dhe duke iu referuar atyre qarkoreve, përfshirë posaçërisht Udhëzimin nr. 122721/08 të 2 tetorit 2006 të lëshuar nga Drejtoria Kryesore e Punëve të Brendshme e Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit (shih paragrafin 31 lart).
142. Ai Udhëzim, i cili zbaton qarkoren nr. 0215 të Drejtorisë Kryesore të Punëve të Brendshme të Shën Peterburgut dhe Rajonit të Leningradit e 30 shtatorit 2006, shprehimisht përmend dëbimin e “shtetasve të Republikës së Gjeorgjisë” me qëndrim të paligjshëm në Federatën Ruse. Ai urdhëron dëbimin e “vetëm” atyre shtetasve duke i vendosur ata në një qendër pranimi dhe paraburgimi të Drejtorisë Kryesore të Punëve të Brendshme. Mbi të gjitha, ai tregon se “miratimi i vendimeve është koordinuar me Gjykatën e Qytetit të Shën Peterburgut dhe Gjykatën Rajonale të Leningradit”.
143. Gjykata po ashtu i referohet raporteve të organizatave qeveritare dhe jo qeveritare të cilat e përmendin këtë Udhëzim (shih raportet nga PACE dhe HRË në shtojcë të të cilave ndodhet ai, dhe raportin nga FIDH, fq. 26) in fine – shih paragrafët 30 deri në 40 lart, dhe gjetjes së Komisionerit për të Drejtat e Njeriut pranë Federatës Ruse, i cili e përmend në raportin e tij të vitit 2006, duke marrë parasysh që përgjigjja nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm ndaj kërkesës së tij për informacione lidhur me origjinalitetin e atij udhëzimi ishte jo bindëse (shih paragrafin 35 lart). Në këtë pikë, duhet shënuar që në përgjigjen e tij të 8 dhjetorit 2006 Zv/Prokurori i Përgjithshëm nuk tha që udhëzimi në fjalë nuk ishte origjinal (shih paragrafin 34 lart).
144. Së fundi, nuk kontestohet që në fillim të tetorit 2006 zyrtarët e drejtorive të punëve të brendshme të rretheve të ndryshme të Moskës dhe Rajonit Samara u dërguan letra drejtorëve të shkollave duke kërkuar lista të nxënësve gjeorgjianë për arsye të ndryshme (siç ishte ruajtja e rendit publik, parandalimi i akteve të terrorizmit dhe tensioneve mes fëmijëve që jetonin në Moskë dhe fëmijëve gjeorgjianë, pikasja e rasteve të ryshfeteve të paguara nëpër shkolla nga imigrantët e paligjshëm, identifikimi i rasteve të fëmijëve që jetojnë në kushte të këqija) (shih paragrafët 36 deri në 37 lart).
145. Duhet shënuar që asnjë kërkesë e këtij lloji nuk ishte dërguar para fillimit të tetorit. Edhe pse nuk u dërguan shumë syresh dhe nuk mund të përjashtohet mundësia që ato janë dërguar nga zyrtarë të zellshëm që kanë vepruar me iniciativë të vet, spikat fakti që këto letra janë dërguar në të njëjtën kohë si data e qarkoreve dhe udhëzimeve. Për më tepër, në seancën e dëshmitarëve zyrtarët rusë konfirmuan që veprime të tilla ishin rreptësisht të ndaluara me ligj dhe kështu që është e habitshme që një numër i konsiderueshëm zyrtarësh shkelën ligjin në fuqi të gjithë në të njëjtën kohë dhe e bënë këtë me vet inciativën e tyre. Së fundi, Gjykata vëren që ndëshkimet e dhëna ndaj zyrtarëve ishin vetëm qortime, ulje në gradë dhe masa disiplinore (shih paragrafin 37 lart).
146. Rrjedhimisht, ajo konsideron që provat e paraqitura nga Qeveria përgjegjëse – posaçërisht dy letrat e dhjetorit 2006 nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm dhe raportet e hetimeve nga autoritetet ruse pas kërkesave për informacione dërguar shkollave të ndryshme – nuk janë në gjendje të hedhin poshtë akuzat për “tolerancë zyrtare” ndaj veprimeve të tilla të paligjshme nga autoritetet ruse.
ii. Zgjidhjet në vend
147. Për sa i përket efektivitetit dhe disponibilitetit të zgjidhjeve në vend, Gjykata vëren së pari që të gjitha deklaratat e dëshmitarëve gjeorgjianë përputhen me njëra-tjetrën për sa i përket kushteve të arrestimit të tyre dhe procedurave tejet të shkurtuara para gjykatave në Federatën Ruse (shih paragrafët 45 deri në 46 dhe paragrafët 48 deri në 49 lart).
148. E njëjta gjë vlen edhe për sa i përket përshkrimit të atyre ngjarjeve nga organizatat ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare, të cilat i referohen në mënyrë të veçantë koordinimit mes autoriteteve administrative dhe atyre gjyqësore (shih paragrafët 39 deri në 40 dhe paragrafët 68 deri në 71 lart).
149. Gjykata vërën që shtetasit gjeorgjianë u arrestuan, u paraburgosën dhe u dëbuan për shkelje të supozuara të neneve 18.8, 18.10 dhe 18.11 të Kodit të Veprave Administrative (për shembull, mungesa e lejes së vlefshme të punës, vizës ose certifikatës së regjistrimit) dhe që urdhrat u lëshuan nga gjykatat e rëndomta.
150. Ajo nuk dyshon që ekzistojnë zgjidhje para gjykatave më të larta në Federatën Ruse kundër arrestimit e paraburgimit dhe kundër urdhrave të dëbimit, siç u deklarua nga Qeveria përgjegjëse në vërejtjet e saj të shumta dhe siç u përshkrua nga zyrtarët rusë në seancën e dëshmitarëve (shih gjithashtu Niyazov kundër Rusisë, nr. 27843/11, §§ 87 et seq., 16 tetor 2012).
151. Megjithatë, Gjykata duhet të marrë parasysh në mënyrë realiste jo vetëm “ekzistimin e zgjidhjeve formale në sistemin ligjor të Shtetit Kontraktues në fjalë por edhe kontekstin e përgjithshëm dhe politik në të cilin veprojnë ato, si dhe rrethanat personale të kërkuesve” (shih, mutatis mutandis, Akdivar dhe të Tjerë, cituar lart, § 69).
152. Duke marrë parasysh të gjitha materialet në posedim të saj, Gjykata konsideron që gjatë periudhës në fjalë ka pasur pengesa reale për shtetasit gjeorgjianë në shfrytëzimin e atyre zgjidhjeve, si gjatë procedurave para gjykatave në Federatën Ruse ashtu edhe pasi ishin dëbuar për në Gjeorgji.
153. Ajo konsideroi që në Federatën Ruse ato pengesa kishin dalë si rezultat i procedurave të zhvilluara para gjykatave ruse siç janë përshkruar nga dëshmitarët gjeorgjianë, pra që ata janë sjellë para gjykatave në grupe. Ndërkohë që disa iu referuan një interviste me një gjyqtar që zgjati mesatarisht pesë minuta dhe nuk pati shqyrtim të duhur të fakteve të çështjes, të tjerë thanë se nuk ishin lejuar të hynin në sallën e gjyqit dhe kishin pritur në korridore, madje edhe në autobusët me të cilët ishin sjellë në gjykatë, bashkë me shtetas të tjerë gjeorgjianë. Ata thanë se më pas ishin urdhëruar të nënshkruanin vendimet gjyqësore pa pasur mundësi të lexonin përmbajtjen e tyre ose të merrnin një kopje të vendimeve. Nuk kishin pasur as përkthyes e as avokat. Në përgjithësi, si gjyqtarët ashtu edhe policët i kishin dekurajuar ata prej ngritjes së apelit, duke u thënë se kishte ardhur urdhri për dëbimin e shtetasve gjeorgjianë.
154. Më tej, klima e rrëmbyer dhe frikësuese në të cilën u morën këto masa gjithashtu shpjegon ngurrimin e shtetasve gjeorgjianë për t’i përdorur ato zgjidhje.
155. Në këtë pikë Gjykata i jep më shumë kredibilitet përshkrimit të atyre procedurave nga dëshmitarët gjeorgjianë, i cili përputhet me atë të organizatave ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare, e jo me atë të zyrtarëve rusë i cili duket i pamundshëm nëse merret parasysh numri i shtetasve gjeorgjianë të dëbuar gjatë periudhës në fjalë.
156. Në Gjeorgji, përtej faktorit psikologjik, ajo konsideron se ka pasur pengesa praktike në përdorimin e këtyre zgjidhjeve për shkak të mbylljes së lidhjeve të transportit mes dy vendeve. Më tej, ishte shumë e vështirë të kontaktohej konsullata e Federatës Ruse në Gjeorgji, e cila kishte shumë pak punonjës, vetëm tre diplomatë, në kohën materiale.
157. Më tej, Gjykata konsideron që, meqenëse nuk u paraqitën statistika mujore lidhur me numrin e urdhrave të dëbimit të lëshuar kundër shtetasve gjeorgjianë nga gjykatat ruse posaçërisht gjatë periudhës në fjalë, dokumentet e paraqitura nga Qeveria përgjegjëse në letrat e saj të 15 prillit 2011 (shih paragrafin 85 in fine lart) nuk ofrojnë prova të mjaftueshme që ato zgjidhje kanë qenë efektive dhe në dispozicion në kohën materiale dhe që kanë pasur ndonjë perspektivë të arsyeshme suksesi.
158. Në mënyrë të veçantë, numri i vendimeve të apelit (42) të paraqitura duket minimal duke marrë parasysh numrin e njësive territoriale që ekzistojnë në Federatën Ruse dhe numrin e urdhrave të dëbimit të lëshuar kundër shtetasve gjeorgjianë në atë periudhë (shih paragrafin 153 lart). Numri i vendimeve të apelit të paraqitura gjithashtu duket qesharak për qytetet e Moskës (8) dhe Shën Peterburgut (17), kur konsiderohet që shumica e dëbimeve të shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës në fjalë u zhvilluan në ato qytete, ku shumica e tyre njëkohësisht jetojnë.
iii. Përfundim
159. Duke pasur parasysh të gjithë ato faktorë, Gjykata arrin në përfundimin që nga tetori 2006 nga Federata Ruse është zhvilluar një politikë e koordinuar e arrestimit, paraburgosjes dhe dëbimit të shtetasve gjeorgjianë e cila ka shkuar në praktikë administrative për qëllime të praktikës gjyqësore të Konventës. Rrjedhimisht, kundërshtimi i ngritur nga Qeveria përgjegjëse në lidhje me bazat e mos-shterimit të zgjidhjeve vendase duhet të rrëzohet.
B. Rregulla e gjashtëmujorit
160. Gjykata përsërit “që në mungesë të zgjidhjeve, ky afat kohor duhet të llogaritet nga data e veprimit ose vendimit e cila thuhet se nuk është në pajtim me Konventën” (shih, inter alia, Gjeorgjia kundër Rusisë (I), cituar lart, § 47).
161. Megjithëse Dhoma e rezervoi çështjen në mënyrë që ta bashkonte me themelet, asnjëra prej dy Qeverive nuk paraqiti vërejtje në atë aspekt. Qeveria kërkuese thjesht i kërkoi Gjykatës të gjente që kërkesa ishte depozituar brenda afatit kohor gjashtëmujor të parashikuar në Konventë.
162. Në çështjen në fjalë kërkesa u depozitua në Gjykatë më 26 mars 2007, ndërkohë që urdhrat për dëbimin e shtetasve gjeorgjianë për të cilat u ankua Qeveria kërkuese ishin lëshuar më 27 shtator 2006.
163. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron që afati kohor gjashtëmujor i parashikuar nga Konventa është respektuar.
IV. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 4 TË PROTOKOLLIT Nr. 4
164. Qeveria kërkuese u mbështet në nenin 4 të Protokollit Nr. 4 i cili thotë si vijon:
“Ndalohet dëbimi kolektiv i të huajve.”
A. Parashtrimet e palëve
1. Qeveria kërkuese
165. Qeveria kërkuese parashtroi që Shteti përgjegjës kishte dëbuar në mënyrë kolektive gjeorgjianët nga territori i Federatës Ruse, dhe u kishte mohuar atyre të drejtën që çështjet e tyre të shqyrtoheshin nga një gjykatë. Një çështje shqetësimi serioz, sipas pikëpamjes së saj, ishte fakti që gjatë procedurave gjyqësore çështjet e personave për të cilët ishin lëshuar urdhrat e dëbimit nuk ishin shqyrtuar kurrë mbi bazën e themeleve. Siç mund të vërtetohej nga seanca e dëshmitarëve dhe nga raportet e organizatave ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare, gjykatat nuk kishin dashur të dëgjonin parashtrimet e shtetasve gjeorgjianë, dhe këta të fundit nuk kishin pasur mundësi të paraqisnin baza e tyre për apel kundër dëbimit të tyre. Gjyqtarët kishin përdorur të njëjtën formë standarde për të gjithë urdhrat e dëbimit, thjesht duke shënuar emrat dhe datat relevante, pa shqyrtuar rrethanat faktike të secilit rast. Disa prej viktimave madje nuk kishin pasur as mundësinë që të dilnin në gjyq.
2. Qeveria përgjegjëse
166. Qeveria përgjegjëse i kontestoi ato pretendime dhe parashtroi që çështja në fjalë dallonte shumë nga çështja e Čonka kundër Belgjikës (nr. 51564/99, ECHR 2002-I), sepse autoritetet e Federatës Ruse nuk kishin deklaruar asnjëherë që ato i kishin dëbuar shtetasit gjeorgjianë në mënyrë kolektive dhe nuk u kishin dhënë asnjë udhëzim të tillë zyrtarëve përkatës. Më tej, shtetasit gjeorgjianë nuk ishin ftuar para autoriteteve relevante të Ministrisë së Brendshme dhe një numër i madh i tyre kishin mundur të largoheshin nga Federata Ruse me mjetet e veta. Së fundi, çdo shtetas gjeorgjian kundër të cilit u hapën procedura administrative dhe ndaj të cilit u lëshua urdhër dëbimi e kishte pasur çështjen e tij/saj nën shqyrtim individual në përputhje me ligjet ruse. Qeveria përgjegjëse kontestoi besueshmërinë e deklaratave të dëshmitarëve gjeorgjianë në atë drejtim dhe iu referua deklaratave të zyrtarëve rusë. Sipas Qeverisë përgjegjëse, çështja në fjalë i ngjante më shumë çështjes së Sultani kundër Francës (nr. 45223/05, ECHR 2007‑IV (pjesë të shkëputura)) sepse, ashtu si në atë çështje, Qeveria përgjegjëse kishte organizuar, në tetor 2006, fluturime të veçanta direkte që transportonin shtetas gjeorgjianë mes Moskës dhe Tbilisit mbi bazën e marrëveshjeve me ambasadën gjeorgjiane në Federatën Ruse, për shkak të faktit se lidhjet ajrore mes Federatës Ruse dhe Gjeorgjisë ishin pezulluar. Dëbimi i imigrantëve të paligjshëm dhe personave që kishin shkelur dispozitat statusore mbi qëndrimin në territorin rus ishte një e drejtë dhe detyrim sovran i Shtetit të Rusisë për të garantuar sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e përgjithshme
167. Gjykata përsërit që praktika e saj gjyqësore në të cilën “dëbimi kolektiv, brenda kuptimit të nenit 4 të Protokollit Nr. 4, duhet të kuptohet si çdo masë që detyron të huajt, si grup, që të largohen nga vendi, përveç rasteve kur një masë e tillë merret pas, dhe mbi bazën e, një shqyrtimi të arsyeshëm dhe objektiv të çështjes së veçantë të secilit individ të huaj të grupit” (shih Čonka, cituar lart, § 59). Gjykata ka sqaruar më pas që “fakti që disa të huaj janë objekt i vendimeve të tilla nuk shpie në vetvete drejt përfundimit që ekziston dëbim kolektiv nëse secilit person të përfshirë i jepet mundësia të paraqesë argumente kundër dëbimit të tij para autoriteteve kompetente në baza individuale” (shih, mes autoriteteve të tjera, Sultani, cituar lart, § 81, dhe Hirsi Jamaa dhe të Tjerë, cituar lart, § 184). Megjithatë, kjo nuk do të thotë që aty ku ka pasur shqyrtim të arsyeshëm dhe objektiv të çështjes së veçantë të secilit individ “prapavija e ekzekutimit të urdhrave të dëbimit nuk luan më rol në përcaktimin nëse ka pasur përputhje me nenin 4 të Protokollit Nr. 4” (shih Čonka, cituar lart, ibid.).
168. Për sa i përket fushëveprimit të zbatimit të nenit 4 të Protokollit Nr. 4, Gjykata vëren se teksti i dispozitës nuk i referohet situatës ligjore të personave të përfshirë, ndryshe nga neni 1 i Protokollit Nr. 7 të cilin Gjykata do ta shqyrtojë poshtë (shih paragrafët 228 deri në 231 poshtë). Më tej, nga komentari i draftit të Protokollit Nr. 4 mund të shihet që, sipas Komitetit të Ekspertëve, të huajt të cilëve iu referohet neni 4 nuk janë vetëm ata me qëndrim të ligjshëm brenda territorit por gjithashtu “të gjithë ata që nuk kanë të drejtë kombësie në një Shtet, pavarësisht nëse janë thjesht duke kaluar nëpër një vend ose janë me qëndrim aty ose janë me banim aty, pavarësisht nëse janë refugjatë ose persona që kanë hyrë në vend me iniciativën e vet, ose pavarësisht nëse janë pa shtet ose në posedim të një shtetësie tjetër” (neni 4 i draftit përfundimtar të Komitetit, fq. 505, § 34).
169. Në përputhje me atë interpretim, në çështjet që janë sjellë para saj Gjykata ka zbatuar nenin 4 të Protokollit Nr. 4 për personat të cilët, për arsye të ndryshme, kanë qenë me qëndrim brenda territorit të një Shteti ose janë pikasur në det të hapur në anije me flamurin e Shtetit përgjegjës dhe janë kthyer në Shtetin e tyre të origjinës (shih, inter alia, Čonka; Sultani; dhe Hirsi Jamaa dhe të Tjerë, cituar lart).
2. Zbatimi i këtyre parimeve
170. Prandaj, në çështjen në fjalë neni 4 i Protokollit Nr. 4 është i zbatueshëm pavarësisht nëse shtetasit gjeorgjianë kanë qenë me qëndrim të ligjshëm ose jo në territorin e Federatës Ruse.
171. Në lidhje me themelet, Gjykata duhet të përcaktojë nëse masat e dëbimit janë marrë pas, dhe mbi bazën e, një shqyrtimi të arsyeshëm dhe objektiv të situatës së veçantë të secilit prej shtetasve gjeorgjianë duke marrë parasysh ndërkohë kontekstin e përgjithshëm në kohën materiale.
172. Në këtë aspekt ajo i referohet njëkohësisht përshkrimit të përputhshëm të dhënë nga dëshmitarët gjeorgjianë dhe nga organizatat ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare në lidhje me procedurat shumë të shkurtuara që u zhvilluan para gjykatave ruse (shih paragrafët 48 deri në 49 dhe paragrafët 68 deri në 71 lart).
Kështu, Komiteti Monitorues i PACE tha që “dëbimet rutinë” ndoqën një model të përsëritur në tërë vendin: “Gjeorgjianët ndaloheshin në rrugë me pretekstin e kontrollimit të dokumenteve të tyre, dhe paraburgoseshin pavarësisht nëse dokumentet e tyre ishin në rregull ose jo, dhe pastaj silleshin në stacionet e Milicisë ku mblidheshin në grupe të mëdha dhe dërgoheshin në gjykata, ku vendimet mbi dënimin administrativ me dëbim nga territori i Rusisë merreshin sipas marrëveshjeve paraprake me gjykatat, pa avokatë dhe pa shqyrtim nga gjykata të rrethanave individuale, ku e tërë procedura zgjaste prej dy deri në dhjetë minuta. Shpesh njerëzit, të cilët bëheshin objekt i këtyre masave, nuk futeshin në sallat e gjyqit, të paraburgosurit mbaheshin nëpër korridore ose edhe në automjetet me të cilat ishin sjellë aty” (raporti i PACE, § 59).
173. Më tej, organizatat ndërkombëtare treguan që arrestimet dhe dëbimet masive të shtetasve gjeorgjianë kishin nisur në fillim të tetorit 2006 dhe iu referuan koordinimit mes autoriteteve administrative dhe atyre gjyqësore (shih paragrafët 39 deri në 40 dhe 68 deri në 71 lart).
174. Sipas mendimit të Gjykatës, çështja konkrete ngjan më shumë me çështjen e Čonka, në të cilën ajo gjeti që kishte pasur dëbim kolektiv duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e zbatimit të urdhrave të dëbimit, sesa me çështjen e Sultani, në të cilën ajo vendosi që autoriteti relevant e kishte marrë parasysh situatën personale të kërkuesit – azilkërkues i shtetësisë afgane – dhe rreziqet e pretenduara në rast të kthimit të tij në vendin e tij të origjinës.
175. Veçantia e çështjes së tanishme qëndron në faktin se gjatë periudhës në fjalë gjykatat ruse lëshuan mijëra urdhra dëbimi duke nxjerrë jashtë vendit shtetasit gjeorgjianë (shih paragrafin 135 lart). Megjithëse, formalisht, u mor një vendim gjykate për secilin shtetas gjeorgjian, Gjykata konsideron që zhvillimi i procedurave të dëbimit gjatë asaj periudhe, pas lëshimit të qarkoreve dhe udhëzimeve, dhe numri i shtetasve gjeorgjianë të dëbuar – nga tetori 2006 – e bënte të pamundur zhvillimin e një shqyrtimi të arsyeshëm dhe objektiv të çështjes së veçantë të secilit individ.
176. Më tej, përfundimi në të cilin arriti Gjykata në lidhje me zbatimin në Federatën Ruse të një politike të koordinuar të arrestimit, paraburgimit dhe dëbimit të shtetasve gjeorgjianë nga tetori 2006 (shih paragrafin 159 lart) gjithashtu tregon se dëbimet kanë qenë të natyrës kolektive.
177. Ajo gjetje nuk vë në pyetje të drejtën e Shteteve për të vendosur politikat e veta të imigracionit. Megjithatë, duhet theksuar se problemet me menaxhimin e prurjeve të migrantëve nuk mund të justifikojnë përdorimin nga Shteti të praktikave të cilat janë në papajtueshmëri me detyrimet e tij nën Konventën (shih, mutatis mutandis, Hirsi Jamaa dhe të Tjerë, cituar lart, § 179).
178. Për sa u përket të gjithë faktorëve pararendës, Gjykata konsideron që dëbimi i shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës në fjalë nuk u zhvillua pas, dhe mbi bazën e, një shqyrtimi të arsyeshëm dhe objektiv të çështjes së veçantë të secilit individ dhe kjo përbënte praktikë administrative në shkelje të nenit 4 të Protokollit Nr. 4.
V. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 5 §§ 1 DHE 4 TË KONVENTËS
179. Qeveria kërkuese u mbështet në nenin 5 §§ 1 dhe 4 të Konventës, pjesët relevante të të cilit lexojnë si vijon:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
...
(f) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi.
...
4. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.”
A. Parashtrimet e palëve
1. Qeveria kërkuese
180. Në parashtrimin e Qeverisë kërkuese, ishte e qartë nga të gjitha të dhënat e seancës së dëshmitarëve që forma arbitrare në të cilën ishin arrestuar dhe paraburgosur shtetasit gjeorgjianë e bënte arrestimin dhe paraburgimin e tyre të paligjshëm për qëllime të nenit 5 § 1 të Konventës. Më tej, pamundësia e shtetasve gjeorgjianë për të kontestuar ligjshmërinë e arrestimit dhe paraburgosjes së tyre kishte shkelur nenin 5 § 4 të Konventës. Arrestimi i gjeorgjianëve me qëllim të dëbimit të tyre kishte marrë formën e operacioneve masive që kishin përfshirë kërkimet për ta nëpër kisha, në tregje, në rrugë dhe në shkolla, si dhe në shtëpitë e tyre dhe në vendet e punës.
2. Qeveria përgjegjëse
181. Qeveria përgjegjëse i kundërshtoi pretendimet e Qeverisë kërkuese dhe u shpreh që arrestimi i shtetasve gjeorgjianë me qëllim të dëbimit të tyre ishte zhvilluar në përputhje me ligjet ruse me qëllim të luftimit të imigracionit ilegal. Në lidhje me këtë ajo paraqiti të njëjtat argumente si të nenit 4 të Protokollit 4 (shih paragrafin 166 lart).
B. Vlerësimi i Gjykatës
182. Gjykata vëren fillimisht që fakti që arrestimet në fjalë kanë ndodhur me qëllim të dëbimit të shtetasve gjeorgjianë nga territori rus nuk është objekt kundërshtimi mes palëve, kështu që neni 5 § 1 (f) i Konventës është i zbatueshëm në këtë rast. “Aty ku ‘ligjshmëria’ e paraburgimit është objekt kundërshtimi, përfshirë edhe çështjen nëse është ndjekur ‘procedura e vendosur me ligj’, Konventa i referohet në thelb detyrimit për të vepruar në pajtim me rregullat substanciale dhe procedurale të së drejtës kombëtare, por përveç kësaj ajo kërkon që çdo heqje e lirisë të jetë në përputhje me qëllimin e nenit 5, pra për të mbrojtur individin nga arbitrariteti” (shih, mes autoriteteve të tjera, Čonka, cituar lart, § 39, dhe Shamayev dhe të Tjerë, cituar lart, § 397).
183. Në përputhje me paragrafin 4 të nenit 5, personat e arrestuar ose të paraburgosur kanë të drejtë që sipas kushteve procedurale dhe substanciale të cilat janë thelbësore për “ligjshmërinë”, në kuptim të Konventës, heqja e lirisë së tyre të merret në shqyrtim. Nocioni i “ligjshmërisë” duhet të ketë të njëjtin kuptim sipas paragrafit 4 të nenit 5 siç ka në paragrafin 1, në mënyrë që personi i paraburgosur të ketë të shqyrtimit të “ligjshmërisë” së paraburgimit të tij nën dritën jo vetëm të së drejtës vendase por edhe të tekstit të Konventës, parimeve të përgjithshme të ngërthyera në të dhe qëllimit të kufizimeve të lejuara nga neni 5 § 1 (shih Chahal kundër Mbretërisë së Bashkuar, 15 nëntor 1996, § 127, Raporte të Vendimeve 1996‑V; mutatis mutandis, Stanev kundër Bullgarisë [GC], nr. 36760/06, § 168, ECHR 2012; dhe Idalov kundër Rusisë [GC], nr. 5826/03, § 160, 22 maj 2012).
184. Gjykata konsideron që në çështjen konkrete ankesat e ngritura nga neni 5 §§ 1 dhe 4 të Konventës janë të lidhura ngusht me ato të ngritura nga neni 4 i Protokollit Nr. 4.
185. Dëbimet e shtetasve gjeorgjianë u paraprinë nga arrestime masive – në rrugë, në vendet e tyre të punës ose në shtëpitë e tyre. Gjykata i referohet në këtë pikë përshkrimeve të përputhshme nga shtetasit gjeorgjianë dhe organizatat ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare rreth kushteve të arrestimit (shih paragrafët 45 deri në 46 dhe paragrafët 68 deri në 71 lart). Më tej, ajo arriti në përfundimin që në Federatën Ruse u zbatua një politikë e koordinuar e arrestimit, paraburgimit dhe dëbimit të shtetasve gjeorgjianë nga tetori 2006 (shih paragrafin 159 lart).
186. Rrjedhimisht, fakti që ato dëbime u përshkruan si “kolektive” nga Gjykata do të thotë, në rrethanat e çështjes, që arrestimet paraprake kanë qenë arbitrare.
187. Duke pasur parasysh gjetjet e lartpërmendura, Gjykata konsideron që arrestimet dhe dëbimet e shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës në fjalë ka përbërë praktikë administrative në shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës.
188. Në mungesë të efektivitetit dhe disponibilitetit të zgjidhjeve në dispozicion të shtetasve gjeorgjianë kundër urdhave për arrestim, paraburgim dhe dëbim gjatë periudhës në fjalë (shih paragrafët 151 deri në 158 lart), Gjykata konsideron që ka pasur gjithashtu shkelje të nenit 5 § 4 të Konventës.
VI. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 3 TË KONVENTËS
189. Qeveria kërkuese u mbështet në nenin 3 të Konventës i cili lexon si vijon:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
A. Parashtrimet e palëve
1. Qeveria kërkuese
190. Qeveria kërkuese parashtroi që mbipopullimi i tepërt i qelive, papërshtatshmëria e ambienteve të fjetjes, mungesa e higjienës ose privatësisë së ambienteve sanitare, fakti që të paraburgosurit jetonin, flinin dhe përdornin tualetet në të njëjtën dhomë, shembujt të vdekjeve dhe sëmundjet e rënda mes të paraburgosurve dhe të gjitha rrethanat e tjera të përshkruara më lart treguan qartë se Federata Ruse kishte dështuar në respektimin e detyrimeve të saj sipas Konventës. Ajo shtoi se kushtet e transportimit, sidomos në autobusë dhe në avionin e mallrave, kishin qenë posaçërisht poshtëruese dhe iu referuan deklaratave të dëshmitarëve gjeorgjianë në lidhje me to. Rrjedhimisht, Qeveria kërkuese i kërkoi Gjykatës të dilte me përfundimin që kishte pasur shkelje të nenit 3 të Konventës.
2. Qeveria përgjegjëse
191. Qeveria përgjegjëse i kundërshtoi ato akuza dhe parashtroi se dëshmitarët gjeorgjianë kishin dhënë deklaratat kundërthënëse gjatë përshkrimit të kushteve të paraburgimit posaçërisht në qendrat e mbajtjes së përkohshme për të huajt, dhe se këto gjithashtu binin në kundërshtim me dokumentet e paraqitura nga autoritetet ruse ose me deklaratat e dëshmitarëve të tjerë. Rrjedhimisht, ato deklarata nuk mund të përbënin prova “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”. Ajo shtoi se asnjëri nga personat e intervistuar të mbajtur në ato qendra nuk i kishte thënë Gjykatës që kushtet e paraburgimit ishin në çfarëdo aspekti ndryshe nga ato të shtetasve të vendeve të tjera që mbaheshin në të njëjtat qendra paraburgimi për të huajt ose për ata me të cilët ndanin qelinë. Duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve rusë, ajo parashtroi, për fund, se transporti me rrugë ajrore ishte zhvilluar në kushte të mira dhe të njëjtët avionë ishin përdorur për të dëbuar edhe shtetas të tjerë të huaj.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e përgjithshme
192. Gjykata përsërit praktikën e saj gjyqësore të kohëve të fundit në lidhje me nenin 3 të Konventës të cilën e ka përmbledhur në vendimin pilot Ananyev dhe të Tjerë kundër Rusisë, dhe e ka riprodhuar në vendimin e saj Idalov kundër Rusisë:
“ ... Neni 3 ngërthen një nga vlerat më themelore të shoqërive demokratike. Konventa ndalon në mënyrë absolute torturën dhe trajtimin ose dënimin çnjerëzor dhe poshtërues, pavarësisht nga sjellja e viktimës (shih, për shembull, Labita kundër Italisë [GC], nr. 26772/95, § 119, ECHR 2000‑IV). Keqtrajtimi duhet të ketë një nivel minimal rreptësie për të hyrë brenda fushëveprimit të nenit 3. Vlerësimi i këtij minimumi është relativ: ai varet nga të gjitha rrethanat e çështjes, siç janë kohëzgjatja e trajtimit, pasojat fizike dhe mendore të tij dhe, në disa raste, gjinia, mosha dhe gjendja mendore e viktimës (shih, mes autoriteteve të tjera, Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, § 162, Seria A nr. 25).
Keqtrajtimi që arrin një nivel kaq minimal të rreptësisë zakonisht, në fakt, përfshin lëndime trupore ose vuajtje intensive fizike ose mendore. Megjithatë, edhe në mungesë të këtyre, kur trajtimi poshtëron ose ul një individ, duke treguar mungesë respekti për të ose duke ulur dinjitetin e tij/saj njerëzor, ose shkakton ndjenja frike, ankthi ose inferioriteti që mund të thyejnë rezistencën morale dhe fizike të një individi, ai mund të karakterizohet si poshtërues dhe gjithashtu mund të hyjë brenda ndalimit të nenit 3 (shih, mes autoriteteve të tjera, Vasyukov kundër Rusisë, nr. 2974/05, § 59, 5 prill 2011).
Në kontekstin e heqjes së lirisë, Gjykata ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme që, për të hyrë brenda nenit 3, vuajtja dhe poshtërimi në fjalë duhet sidoqoftë të shkojnë përtej elementit të paevitueshëm të vuajtjes dhe poshtërimit të lidhur me paraburgimin. Shteti duhet të sigurohet që një person mbahet në kushte të cilat janë në pajtueshmëri me respektin për dinjitetin njerëzor, që mënyra dhe metoda e ekzekutimit të masës nuk i shkaktojnë atij shqetësim ose vështirësi të një intensiteti që e tejkalon nivelin e pashmangshëm të vuajtjes që është pjesë e natyrshme e paraburgimit dhe që, duke pasur parasysh kërkesat praktike të paraburgimit, shëndeti dhe mirëqenia e tij sigurohen në mënyrën e duhur (shih Kudła kundër Polonisë [GC], nr. 30210/96, §§ 92-94, ECHR 2000‑XI, dhe Popov kundër Rusisë, nr. 26853/04, § 208, 13 korrik 2006).
Gjatë vlerësimit të kushteve të paraburgimit, duhet të merren parasysh pasojat kumulative të këtyre kushteve, si dhe të akuzave të veçanta të bëra nga kërkuesi (shih Dougoz kundër Greqisë, nr. 40907/98, § 46, ECHR 2001-II). Kohëzgjatja e periudhës gjatë së cilës një person mbahet në paraburgim në kushte të caktuara gjithashtu duhet të merret parasysh (shih, mes autoriteteve të tjera, Alver kundër Estonisë, nr. 64812/01, § 50, 8 nëntor 2005).
(shih Ananyev dhe të Tjerë kundër Rusisë, nr. 42525/07 dhe nr. 60800/08, § 139‑42, 10 janar 2012, dhe Idalov, cituar lart, §§ 91‑94; në lidhje me kushtet e transportimit, shih gjithashtu, mutatis mutandis, Khudoyorov kundër Rusisë, nr. 6847/02, §§ 116 et seq., ECHR 2005‑X (pjesë të shkëputura)).
2. Zbatimi i këtyre parimeve
193. Gjykata vëren që shtetasit gjeorgjianë së pari u paraburgosën në stacionet e policisë (për periudha që shkonin prej disa orë deri në një ose dy ditë, sipas deklaratave të dëshmitarëve) dhe më pas në qendrat e paraburgimit për të huajt (për një periudhë prej dy deri në katërmbëdhjetë ditë sipas deklaratave të dëshmitarëve), dhe më pas u dërguan me autobus në aeroporte të ndryshme në Moskë dhe u dëbuan për në Gjeorgji me avionë (shih paragrafin 45 lart). Disa prej shtetasve gjeorgjianë ndaj të cilëve u lëshuan urdhra dëbimi u larguan nga Federata Ruse me mjetet e veta.
194. Palët ishin në mospajtim për shumicën e aspekteve lidhur me kushtet e paraburgimit të shtetasve gjeorgjianë. Megjithatë, aty ku kushtet e paraburgimit nuk vihen në diskutim, Gjykata nuk ka nevojë të konstatojë vërtetësinë e secilës pikë të kontestuar apo të kundërshtuar. Ajo mund të konkludojë që ka pasur shkelje të nenit 3 mbi bazën e një pretendimi serioz të cilin Qeveria përgjegjëse nuk e konteston (shih, mutatis mutandi, Idalov, cituar lart, § 96).
195. Në atë pikë Gjykata gjithashtu do të shqyrtojë provat që ka përpara.
196. Ajo shënon së pari që, edhe pse gjatë seancës së dëshmitarëve disa prej shtetasve gjeorgjianë dhanë deklarata kundërthënëse në lidhje me disa pika (posaçërisht në lidhje me madhësinë e qelive), përshkrimet e tyre për kushtet e paraburgimit në stacionet e policisë dhe qendrat e paraburgimit për të huaj si dhe kushtet e dëbimit për në Gjeorgji janë përgjithësisht të qëndrueshme dhe përputhen me ato të organizatave ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare (shih paragrafët 52 deri në 55 dhe 72 deri në 74 lart). Këto organizata treguan në fakt se shumë shtetas gjeorgjianë iu nënshtruan trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues si pasojë e kushteve të këqija të paraburgimit dhe dëbimit (për shembull, qelitë e mbipopulluara, mungesa e ushqimit dhe ujit, mungesa e higjienës dhe transporti i më shumë se njëqind shtetasve gjeorgjianë me avion mallrash).
197. Më tej, Z. Pataridze, Konsull i Gjeorgjisë në Federatën Ruse në kohën materiale, tha që ai dhe ekipi i tij kishin vizituar më shumë se një duzinë qendra paraburgimi në rajone të ndryshme të Federatës Ruse, përfshirë ato në Shën Peterburg dhe Moskë. Ai konfirmoi që në ato qendra kishin qenë duke u mbajtur kryesisht shtetas gjeorgjianë, që qelitë kishin qenë të mbipopulluara, kushtet e paraburgimit shumë të vështira, higjiena e tmerrshme dhe që kishte pasur shumë pak krevate dhe dyshekë.
198. Gjykata nuk dyshon që kushtet e paraburgimit kanë qenë tepër të vështira duke pasur parasysh numrin e madh të shtetasve gjeorgjianë të mbajtur aty me qëllim të dëbimit të tyre brenda një kohe kaq të shkurtër. Në atë pikë, ajo i gjen deklaratat e dëshmitarëve gjeorgjianë në seancën e dëshmitarëve më të besueshme sesa deklaratat e zyrtarëve rusë, të cilët përshkruan kushte shumë të mira të paraburgimit.
199. Duke pasur parasysh të gjitha materialet e paraqitura në Gjykatë, pikë së pari duket e pamohueshme që shtetasit gjeorgjianë janë mbajtur në qeli në qendra të policisë ose në qendra të mbipopulluara paraburgimi për të huaj. Sido që të jetë, hapësira personale në dispozicion të tyre nuk i përmbushte standardet minimale siç parashtrohet nga praktika gjyqësore e Gjykatës (shih, mes shumë autoriteteve të tjera, Idalov, cituar lart, § 101). Për më tepër, shtetasit gjeorgjianë duhet të flinin me radhë për shkak të mungesës së vendeve individuale për fjetje.
200. Mungesa e jashtëzakonshme e hapësirës së fjetjes në një qeli burgu peshon rëndë si aspekt që duhet marrë parasysh me qëllim të konstatimit nëse kushtet e kundërshtuara të paraburgimit kanë qenë “poshtëruese” brenda kuptimit të nenit 3 të Konventës (shih Ananyev dhe të Tjerë, cituar lart, § 143).
201. Në përgjithësi, Gjykata ka treguar në disa raste se mbipopullimi në burgjet ruse ka qenë çështje e rëndësisë së veçantë për të. Në një numër shumë të madh rastesh, ajo ka gjetur në mënyrë të vazhdueshme shkelje të të drejtave të kërkuesve si pasojë e mungesës së hapësirë së mjaftueshme personale gjatë paraburgimit të tyre (shih, inter alia, Idalov, cituar lart, § 97, dhe Solovyevy kundër Rusisë, nr. 918/02, § 123, 24 prill 2012). Çështja e tanishme, e cila ka të bëjë me qendrat e paraburgimit për të huajt, nuk bën përjashtim në këtë aspekt.
202. Gjykata gjithashtu i referohet raportit të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (angl. CPT) mbi Federatën Ruse të dhjetorit 2001 në të cilin u deklarua se ai ishte shumë i shqetësuar për kushtet e paraburgimit të shtetasve të huaj në këto qendra, duke theksuar mbipopullimin e qelive (raporti për Qeverinë e Rusisë rreth vizitës së CPT në Federatën Ruse prej 2 deri më 7 dhjetor 2001, § 32, CPT/Inf (2003) 30).
203. Më tej, Gjykata nuk mund të mos përmendë në çështjen në fjalë se provat e paraqitura para saj gjithashtu tregojnë që kushtet themelore shëndetësore dhe sanitare nuk janë përmbushur dhe që të paraburgosurit kanë vuajtur nga mungesa e privatësisë për shkak të faktit se tualetet nuk kanë qenë të ndara nga pjesa tjetër e qelive.
204. Në atë aspekt Gjykata përsërit që pamjaftueshmëria e kushteve të paraburgimit përbën problem strukturor të vazhdueshëm në Federatën Ruse i cili rezulton nga mos funksionimi i sistemit rus të burgjeve dhe ka bërë që Gjykata të dalë në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 3 në një numër shumë të madh vendimesh që nga gjetja e parë e një shkeljeje në vitin 2002 në çështjen e Kalashnikov kundër Rusisë (nr. 47095/99, ECHR 2002‑VI) dhe në marrjen e një vendimi pilot në çështjen e lartpërmendur të Ananyev dhe të Tjerë. Prandaj, Gjykata nuk sheh arsye për t’u distancuar nga ai përfundim në çështjen në fjalë.
205. Duke pasur parasysh të gjithë faktorët e lartpërmendur, Gjykata arrin në përfundimin që kushtet e paraburgimit u kanë shkaktuar vuajtje të pamohueshme shtetasve gjeorgjianë dhe duhet të shihen si trajtim çnjerëzor dhe poshtërues i cili përbënte praktikë administrative në shkelje të nenit 3 të Konventës.
206. Rrjedhimisht, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme të shqyrtojë pjesën e mbetur të vërejtjeve të palëve në lidhje me kushtet e dëbimit të shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës në fjalë.
VII. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 13 TË KONVENTËS I MARRË SË BASHKU ME NENIN 4 TË PROTOKOLLIT Nr. 4 DHE ME NENIN 5 §§ 1 dhe 4 DHE NENIN 3 TË KONVENTËS
207. Qeveria kërkuese pretendoi që kishte pasur shkelje të nenit 13 të Konventës të marrë së bashku me nenin 4 të Protokollit Nr. 4 dhe nenin 5 §§ 1 dhe 4 dhe nenin 3 të Konventës. Neni 13 thotë si vijon:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
A. Parashtrimet e palëve
208. Siç është shprehur në vërejtjet e saj të mëparshme, Qeveria kërkuese parashtroi që shtetasit gjeorgjianë nuk kishin pasur zgjidhje efektive dhe të disponueshme kundër urdhrave të arrestimeve dhe dëbimeve gjatë periudhës në fjalë (shih paragrafin 120 lart).
209. Qeveria përgjegjëse i kontestoi ato pretendime (shih paragrafin 121 lart).
B. Vlerësimi i Gjykatës
210. Gjykata përsëriti që neni 13 i Konventës kërkon “ofrimin e një zgjidhjeje vendase për të trajtuar thelbin e një ‘ankese të argumentueshme’ sipas Konventës dhe për të dhënë zgjidhjen e duhur” (shih, inter alia, Čonka, cituar lart, § 75).
211. Duke marrë parasysh gjetjen prej saj të një shkeljeje të nenit 4 të Protokollit Nr. 4 dhe të nenit 5 §§ 1 dhe 4 dhe nenit 3 të Konventës, Gjykata nuk ka zgjidhje tjetër veçse të dalë në përfundimin që ankesat e bëra nga Qeveria kërkuese janë “të argumentueshme” për qëllime të nenit 13.
212. Në fakt, gjetja e një shkeljeje të nenit 4 të Protokollit Nr. 4 dhe të nenit 5 § 4 të Konventës në vetvete do të thotë që ka pasur mungesë të zgjidhjeve efektive dhe të disponueshme. Rrjedhimisht, nuk ka nevojë të shqyrtohet veçmas ankesa e Qeverisë kërkuese për shkeljen e nenit 13 të Konventës të marrë së bashku me ato nene.
213. Më tej, Gjykata tashmë ka gjetur që nuk ka pasur zgjidhje efektive dhe të disponueshme për shtetasit gjeorgjianë kundër urdhrave të arrestimeve, paraburgimeve dhe dëbimeve gjatë periudhës në fjalë (shih paragrafët 151 dhe 158 lart).
214. Prandaj ajo arrin në përfundimin që ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës të marrë së bashku me nenin 5 § 1.
215. Për sa i përket ankesës nga neni 13 i Konventës i marrë së bashku me nenin 3, Gjykata vëren se në vendimin e saj pilot të lartpërmendur, Ananyev dhe të Tjerë, ajo gjeti që në kohën relevante nuk kishte pasur zgjidhje efektive në sistemin ligjor rus që mund të përdoreshin për t’i dhënë fund kushteve çnjerëzore dhe poshtëruese të paraburgimit ose për të marrë kompensim të duhur dhe të mjaftueshëm në lidhje me një ankesë rreth kushteve të pamjaftueshme të paraburgimit (shih Ananyev dhe të Tjerë, cituar lart, § 119).
216. Rrjedhimisht, ajo konsideron që kjo çështje nuk është ndryshe, dhe prandaj arrin në përfundimin që ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës të marrë në lidhje me nenin 3.
VIII. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 14 TË KONVENTËS I MARRË NË LIDHJE ME NENIN 4 TË PROTOKOLLIT Nr. 4 DHE NENIN 5 §§ 1 dhe 4 TË KONVENTËS
217. Qeveria kërkuese pretendoi shkelje të nenit 14 të Konventës të marrë në lidhje me nenin 4 të Protokollit Nr. 4 dhe nenin 5 §§ 1 dhe 4 dhe nenin 3 të Konventës. Teksti i nenit 14 thotë si vijon:
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në [këtë] Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
A. Parashtrimet e palëve
218. Qeveria kërkuese u shpreh që arrestimet, paraburgimet dhe dëbimet e shtetasve gjeorgjianë ishin bazuar mbi prejardhjen e tyre kombëtare dhe mbi prejardhjen e tyre etnike dhe jo mbi statusin e tyre sipas rregullave të imigracionit në Federatën Ruse. Në parashtrimin e saj, arrestimet kishin qenë masë ndëshkimore kundër Gjeorgjisë, dhe nuk kishin qenë të bazuara mbi akte individuale të kryera nga viktimat. Më tej, ai pohim u mbështet nga raporti i HRW, sipas të cilit mes të dëbuarve kishte pasur gjeorgjianë me qëndrim të ligjshëm në Federatën Ruse, siç janë personat me prejardhje gjeorgjiane me shtetësi ruse, mbajtës të lejeqëndrimit ose me leje pune, me viza të vlefshme dhe persona qëndrimi i të cilëve kishte qenë i regjistruar, gjeorgjianë etnikë – disa prej të cilëve kishin qenë në pritje të rinovimit të pasaportave ose vizave të tyre – ose studentë të regjistruar në universitetet ruse.
219. Qeveria përgjegjëse, nga ana e saj, i mohoi të gjitha akuzat në lidhje me arrestimet dhe dëbimet e shtetasve gjeorgjianë mbi bazën e kombësisë ose prejardhjes së tyre etnike. Ajo përsëriti deklaratat e dhëna në vërejtjet e mëparshme, pra që shtetasit gjeorgjianë ishin arrestuar, paraburgosur dhe dëbuar në kuadër të politikës së përgjithshme të luftës kundër imigracionit të paligjshëm për shkak të faktit se ata nuk ishin me qëndrim të ligjshëm në Federatën Ruse (pa vizë të vlefshme, pa leje qëndrimi ose leje pune të vlefshme, ose pa certifikatë apo regjistrim të vlefshëm – shih paragrafin 25 dhe paragrafët 115 deri në 116 lart). Në atë aspekt, seanca e dëshmitarëve kishte treguar se procedura e zbatuar për shtetasit gjeorgjianë kishte qenë njësoj si ajo e zbatuar në lidhje me shtetas të tjerë të huaj të cilët kishin kryer të njëjtat lloje veprash. Ajo parashtroi, më tej, që pretendimet e Qeverisë kërkuese në lidhje me dëbimin e shtetasve rusë me prejardhje gjeorgjiane gjatë periudhës relevante ishin të pabazuara.
B. Vlerësimi i Gjykatës
220. Gjykata konsideron që, në rrethanat e çështjes, ankesat e paraqitura nga Qeveria kërkuese sipas nenit 14 të Konventës të marrë në lidhje me nenin 4 të Protokollit Nr. 4 dhe neni 5 §§ 1 dhe 4 të Konventës janë të njëjta – megjithëse janë paraqitur nga kënde të ndryshme – me ato që ajo ka shqyrtuar sipas dy neneve të fundit, dhe në lidhje me të cilët ajo ka gjetur shkelje. Rrjedhimisht, ajo konsideron që është e panevojshme të konstatohet nëse në rastin konkret ka pasur shkelje të nenit 14 të marrë në lidhje me ato dispozita për shkak të trajtimit diskriminues kundër shtetasve gjeorgjianë.
221. Gjithashtu, ajo e konsideron të panevojshme të konstatohet nëse ka pasur shkelje të nenit 14 të Konventës të marrë në lidhje me nenin 3, duke pasur parasysh pamjaftueshmërinë e kushteve të paraburgimit në burgjet ruse për të gjithë të paraburgosurit pavarësisht nga kombësia e tyre.
IX. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 18 TË KONVENTËS TË MARRË NË LIDHJE ME NENIN 4 TË PROTOKOLLIT Nr. 4 DHE NENIT 5 §§ 1 dhe 4 DHE NENIT 3 TË KONVENTËS
222. Qeveria kërkuese u mbështet në nenin 18 të Konventës, teksti i të cilit thotë si vijon:
“Kufizimet e lejuara sipas [kësaj] Konvente ndaj të drejtave dhe lirive të sipërpërmendura nuk do të zbatohen për qëllime të ndryshme nga ato për të cilat janë parashikuar.”
223. Gjykata përsërit që neni 18 nuk luan rol autonom. Ai mund të zbatohet vetëm në lidhje me nene të tjera të Konventës (shih, inter alia, Gusinskiy kundër Rusisë, nr. 70276/01, § 73, ECHR 2004‑IV; Mudayevy kundër Rusisë, nr. 33105/05, § 127, 8 prill 2010; Lutsenko kundër Ukrainës, nr. 6492/11, § 105, 3 korrik 2012; dhe Tymoshenko kundër Ukrainës, nr. 49872/11, § 294, 30 prill 2013).
224. Gjykata tashmë e ka vërejtur ekzistencën e një praktike administrative në shkelje të nenit 4 të Protokollit Nr. 4 dhe nenit 5 § 1 dhe nenit 3 të Konventës të marrë vetëm dhe ka gjetur që ka pasur shkelje të nenit 5 § 4. Rrjedhimisht, ajo nuk e konsideron të nevojshme të shqyrtojë të njëjtat çështje sipas nenit 18 të Konventës.
X. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 1 TË PROTOKOLLIT Nr. 7
225. Qeveria kërkuese u mbështet në nenin 1 të Protokollit Nr. 7, i cili parashikon:
“1. Një i huaj me qëndrim në territorin e një Shteti nuk dëbohet prej tij përveç se në zbatim të një vendimi të marrë në pajtim me ligjin dhe është i lejuar:
(a) të paraqesë arsye kundër dëbimit të tij,
(b) që çështja e tij të shqyrtohet, dhe
(c) të ketë përfaqësim për këto qëllime para autoritetit kompetent ose një person apo persona të caktuar nga ai autoritet.
2. Një i huaj mund të dëbohet para ushtrimit të të drejtave të tij sipas paragrafit 1 (a), (b) dhe (c) të këtij neni, në rastin kur një dëbim i tillë është i nevojshëm në interes të rendit publik ose është i bazuar në shkaqe të sigurisë kombëtare.”
A. Parashtrimet e palëve
226. Qeveria kërkuese parashtroi që shumë prej shtetasve gjeorgjianë të dëbuar kishin qenë me qëndrim të ligjshëm në Federatën Ruse, dhe iu referua raportit të HRW në lidhje me të.
227. Sipas Qeverisë përgjegjëse, me shumë pak përjashtime të gjithë shtetasit gjeorgjianë të dëbuar nga urdhri administrativ pas procedurave gjyqësore kishin qenë me qëndrim të paligjshëm në territorin e Federatës Ruse për shkak se dokumentet e tyre nuk kishin qenë në rregull. Rrjedhimisht, neni 1 i Protokollit Nr. 7, i cili u zbatohet vetëm personave me qëndrim të ligjshëm në territorin e një Shteti, ishte i pazbatueshëm në rastin konkret.
B. Vlerësimi i Gjykatës
228. Gjykata shënon që neni 1 i Protokollit Nr. 7 u referohet shprehimisht të huajve “me qëndrim të ligjshëm në territorin e një Shteti”.
229. Duke pasur parasysh të gjitha materialet në posedim të saj, Gjykata konsideron që nuk është konstatuar që gjatë periudhës në fjalë ka pasur gjithashtu arrestime dhe dëbime të shtetasve gjeorgjianë me qëndrim të ligjshëm në territorin e Federatës Ruse.
230. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron që ankesa e ngritur nga Qeveria kërkuese sipas këtij neni nuk është vërtetuar në mënyrë të mjaftueshme dhe që provat para saj janë të pamjaftueshme për të arritur në përfundimin që ka pasur shkelje.
231. Prandaj nuk ka pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit Nr. 7.
XI. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 8 TË KONVENTËS DHE E NENEVE 1 DHE 2 TË PROTOKOLLIT Nr. 1
232. Qeveria kërkuese u mbështet në nenin 8 të Konventës, i cili parashikon:
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
233. Ajo gjithashtu u mbështet në Protokollin Nr. 1, neni 1 dhe 2 i të cilit parashikojnë:
“Çdo person natyral ose ligjor ka të drejtë të gëzojë në paqe posedimet e veta. Askush nuk privohet nga posedimet e tij përveç se kur është në interesin publik dhe sipas kushteve të parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat pararendëse në asnjë mënyrë nuk prekin të drejtën e një Shteti për të zbatuar ligje të tilla siç i sheh ai të arsyeshme për të kontrolluar përdorimin e pasurisë në përputhje me interesat e përgjithshme ose për të siguruar pagimin e taksave ose kontributeve apo dënimeve të tjera.”
“Askujt nuk i mohohet e drejta për arsim. Gjatë ushtrimit të çdo funksioni që merr përsipër në lidhje me arsimin dhe mësimdhënien, Shteti respekton të drejtën e prindërve për të siguruar arsim dhe mësimdhënie të tillë në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike.”
A. Parashtrimet e palëve
234. Qeveria kërkuese iu referua vërejtjeve të saj të mëhershme para Dhomës në lidhje me shkeljen e pretenduar nga neni 8 i Konventës dhe neni 1 i Protokollit Nr. 1.
Ajo parashtroi në mënyrë të veçantë që urdhrat individualë të dëbimit nuk kishin marrë parasysh situatën familjare të personave të përfshirë, çka kishte shkaktuar ndarjen e familjeve (nganjëherë fëmijë shumë të vegjël kishin mbetur vetëm) në kundërshtim me kriteret e nenit 8 të Konventës. Më tej, dhënia e informacioneve nga shkollat dhe universitetet në lidhje me prejardhjen, situatën familjare dhe adresat e nxënësve gjeorgjianë nuk ishte e parashikuar me ligj dhe gjithashtu e kishte shkelur këtë nen.
Për më tepër, kushtet e arrestimit dhe paraburgimit të shtetasve gjeorgjianë shpesh i kishin detyruar ata të braktisnin pasuritë e tyre; masat e zhvendosjes dhe pezullimi i komunikimeve mes Federatës Ruse dhe Gjeorgjisë i kishte penguar ata që të merrnin hapat e nevojshëm për të mbrojtur pasurinë e tyre, duke rezultuar në shkelje të nenit 1 të Protokollit Nr. 1.
Së fundi, mbyllja e shkollave ruse në Gjeorgji ua kishte ndërprerë nxënësve gjeorgjianë qasjen në arsim në rusisht dhe ishte bërë në shkelje të nenit 2 të Protokollit Nr. 1.
235. Qeveria përgjegjëse theksoi edhe në lidhje me atë aspekt që Qeveria kërkuese nuk kishte paraqitur prova në mbështetje të akuzave të saj.
Për sa i përket nenit 8 të Konventës, në lidhje me pikën e parë ajo tha që kishte qenë shumë e vështirë për gjykatat ruse që të merrnin informacione në lidhje me situatën e saktë familjare të shtetasve gjeorgjianë, dhe përsëriti që, në mënyrë të përmbledhur, nuk kishin të drejtë për bashkim familjar. Në lidhje me pikën e dytë, ajo deklaroi që sikur nga autoritetet ruse të ishin bërë kërkesa të tilla për informacione zyrtarët në fjalë do të ishin ndëshkuar si duhet.
Në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1, shtetasit gjeorgjianë nuk ishin privuar nga e drejta e tyre e pronës dhe mund të kishin ngritur padi në lidhje me posedimin dhe gëzimin e pronave të tyre.
Së fundi, në lidhje me nenin 2 të Protokollit Nr. 1, shkollat ruse në Gjeorgji administroheshin nga Ministria ruse e Mbrojtjes dhe ato ishin mbyllur pas largimit të ushtarëve rusë nga Gjeorgjia.
B. Vlerësimi i Gjykatës
236. Gjykata konsideron që ankesat e ngritura nga Qeveria kërkuese sipas këtyre neneve nuk janë vërtetuar në mënyrë të mjaftueshme dhe që provat para saj janë të pamjaftueshme për të arritur në përfundimin që ka pasur shkelje.
237. Prandaj nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës dhe neneve 1 dhe 2 të Protokollit Nr. 1.
XII. NENI 41 I KONVENTËS
238. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
239. Qeveria kërkuese i kërkoi Gjykatës “të caktonte shpërblim të drejtë sipas nenit 41, pra, kompensim, dëmshpërblim, restitutio in integrum, kostot, shpenzimet dhe lehtësime të tjera të detajuara më tej për të gjitha dëmet materiale dhe jo materiale të vuajtura ose të pësuara nga palët e dëmtuara si pasojë e shkeljeve dhe vijimit të këtyre procedurave.” (shih paragrafin 79 lart).
240. Gjykata konsideron që çështja e zbatimit të nenit 41 të Konventës nuk është e gatshme për shqyrtim.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që ka pasur shkelje të nenit 38 të Konventës;
2. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që në vjeshtën e vitit 2006 në Federatën Ruse është jetësuar një politikë e koordinuar arrestimi, paraburgosjeje dhe dëbimi të shtetasve gjeorgjianë e cila ka përbërë praktikë administrative për qëllimet e praktikës gjyqësore të Gjykatës;
3. Hedh poshtë, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, kundërshtimin paraprak të Qeverisë përgjegjëse në lidhje me mos shterimin e zgjidhjeve vendase në atë pikëpamje;
4. Vendos, njëzëri, që kërkesa e Qeverisë kërkuese është paraqitur brenda afatit kohor gjashtëmujor të parashikuar nga neni 35 § 1 i Konventës;
5. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që dëbimet e shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës në fjalë kanë përbërë praktikë administrative në shkelje të nenit 4 të Protokollit Nr. 4;
6. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që arrestimet dhe paraburgosjet e shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës në fjalë kanë përbërë praktikë administrative në shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës;
7. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që mungesa e zgjidhjeve në dispozicion të shtetasve gjeorgjianë kundër urdhrave të arrestimit, paraburgimit dhe dëbimit gjatë periudhës në fjalë ka përbërë shkelje të nenit 5 § 4 të Konventës;
8. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që kushtet e paraburgimit të shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës në fjalë kanë përbërë praktikë administrative në shkelje të nenit 3 të Konventës;
9. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që nuk është e nevojshme të shqyrtohet sipas nenit 3 të Konventës pjesa tjetër e vërejtjeve të palëve në lidhje me kushtet e dëbimit të shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës në fjalë;
10. Vendos, me trembëdhjetë vota pro dhe katër kundër, që ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës të marrë së bashku me nenin 5 § 1 të Konventës;
11. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës të marrë së bashku me nenin 3 të Konventës;
12. Vendos, njëzëri, që nuk është e nevojshme të shqyrtohen ankesat e bëra nga Qeveria kërkuese sipas nenit 13 të Konventës të marrë në lidhje me nenin 4 të Protokollit Nr. 4 dhe nenin 5 § 4 të Konventës;
13. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që nuk është e nevojshme të shqyrtohen ankesat e ngritura nga Qeveria kërkuese sipas nenit 14 të Konventës të marrë në lidhje me nenin 4 të Protokollit Nr. 4 dhe nenin 5 §§ 1 dhe 4 dhe nenin 3 të Konventës;
14. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që nuk është e nevojshme të shqyrtohen ankesat e ngritura nga Qeveria kërkuese sipas nenit 18 të Konventës të marrë në lidhje me nenin 4 të Protokollit Nr. 4 dhe nenin 5 §§ 1 dhe 4 dhe nenin 3 të Konventës;
15. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që nuk ka pasur shkelje të nenit 1 të Protokollit Nr. 7;
16. Vendos, njëzëri, që nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës dhe neneve 1 dhe 2 të Protokollit Nr. 1;
17. Vendos, njëzëri, që çështja e zbatimit të nenit 41 të Konventës nuk është e gatshme për vendim;
rrjedhimisht,
a) e rezervon çështjen në fjalë në tërësi;
b) fton Qeverinë kërkuese dhe Qeverinë përgjegjëse të parashtrojnë me shkrim, brenda dymbëdhjetë muajve nga data e njoftimit të këtij vendimi, vërejtjet e tyre në lidhje me këtë çështje dhe, në mënyrë të veçantë, ta informojnë Gjykatën në lidhje me çdo marrëveshje që mund të arrijnë;
c) e rezervon procedurën e mëtejshme dhe ia delegon Kryetarit të Gjykatës fuqinë për ta rregulluar në qoftë se është e nevojshme.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 3 korrik 2014.
Michael O’BoyleJosep Casadevall
ZëvendëskancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e ndara të mëposhtme bashkëngjiten në shtojcë të këtij vendimi:
(a) mendimi pjesërisht pakicë i gjyqtarit Judge López Guerra të cilit i bashkohen Gjyqtarët Bratza dhe Kalaydjieva;
(b) mendimi pjesërisht pakicë i Gjyqtarit Tsotsoria;
(c) mendimi pakicë i Gjyqtarit Dedov.
J.C.M.
M.O’B.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy