© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds Fiduciaire pour les Droits de l’Homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
Notë Informative mbi praktikën gjyqësore të Gjykatës nr. 176
Korrik 2014
Gjeorgjia kundër Rusisë (nr. 1) [GC] - 13255/07
Vendimi 3.7.2014 [GC]
Neni 4 i Protokollit Nr. 4
Ndalimi i dëbimit kolektiv tëtë huajve
Dëbimi kolektiv i shtetasve gjeorgjianë nga autoritetet ruse nga tetori 2006 deri në janar 2007: praktikë administrative në shkelje
Neni 33
Çështja ndërshtetërore
Dëbimi kolektiv i shtetasve gjeorgjianë nga autoritetet ruse prej tetorit 2006 deri në janar 2007
Neni 35
Neni 35-1
Shterimi i mjeteve vendase
Pazbatueshmëria e detyrimit për shterim për shkak të praktikës administrative të arrestimit, ndalimit dhe dëbimit të shtetasve gjeorgjianë: kundërshtimi paraprak i rrëzuar
Faktet – Çështja kishte të bënte me arrestimin, ndalimin dhe dëbimin prej Rusisë të shumë shtetasve gjeorgjianë nga fundi i shtatorit 2006 deri në fund të janarit 2007. Faktet e çështjes u vunë në diskutim.
Sipas Qeverisë gjeorgjiane, gjatë asaj periudhe u lëshuan më shumë se 4600 urdhra për dëbime nga autoritetet ruse kundër shtetasve gjeorgjianë, prej të cilëve më shumë se 2300 u ndaluan dhe u dëbuan me forcë, ndërsa pjesa tjetër u la në mëshirë të fatit. Kjo përfaqësoi një rritje të madhe të numrit të dëbimit të shtetasve gjeorgjianë për muaj të tërë.
Në mbështetje të pretendimit tësaj që rritja e dëbimeve ishte pasojë e një politike që shënjestronte posaçërisht shtetasit gjeorgjianë, Qeveria e Gjeorgjisë paraqiti një sërë dokumentesh që ishin lëshuar gjatë fillimit dhe mesit të tetorit 2006 nga autoritetet ruse. Këto dokumente, të cilat iu referoheshin dy qarkoreve administrative të lëshuara nga fundi i shtatorit 2006, urdhëronin stafin të ndërmerrte masa të gjera për të identifikuar shtetasit gjeorgjianë me qëndrim të paligjshëm në Rusi, me qëllim të ndalimit dhe dëbimit të tyre. Qeveria gjeorgjiane gjithashtu paraqiti dy letra nga autoritetet rajonale ruse që u ishin dërguar shkollave në fillim të tetorit 2006 duke kërkuar identifikimin e nxënësve gjeorgjianë.
Qeveria ruse i mohoi këto pretendime. Qeveria tha se ajo thjesht kishte zbatuar politikën e imigracionit dhe nuk kishte marrë masa për ndëshkimore. Për sa i përket numrit të dëbimeve, ajo kishte mbajtur vetëm statistika vjetore ose gjysmë vjetore që tregonin rreth 4000 urdhra administrativë për dëbimin e shtetasve gjeorgjianë në vitin 2006 dhe rreth 2800 mes 1 tetorit 2006 dhe 1 prillit 2007. Për sa i përket dokumenteve të referuara nga Qeveria e Gjeorgjisë, Qeveria e Rusisë pohoi që udhëzimet ishin falsifikuar. Ndërkohëqë e konfirmoi ekzistencën e dy qarkoreve, ajo e kontestoi përmbajtjen e tyre duke refuzuar njëkohësisht që t’ia dorëzonte Gjykatës Evropiane, mbi bazën e faktit se ato ishin të klasifikuara “sekret shtetëror”. Ajo nuk e kontestoi që shkollave u ishin dërguar letra me qëllim të identifikimit të nxënësve gjeorgjianë, por tha se ky kishte qenë veprim i zyrtarëve tejet të zellshëm të cilët më pas ishin qortuar.
Organizata të ndryshme ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare, përfshirë Komitetin Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), raportuan në vitin 2007 rreth dëbimit të shtetasve gjeorgjianë, duke theksuar veprimet e koordinuara mes autoriteteve administrative dhe atyre gjyqësore ruse.
Ligji – Neni 38: Qeveria ruse kishte refuzuar t’i jepte Gjykatës kopje të dy qarkoreve të lëshuara nga autoritetet në fund të shtatorit 2006 për shkak se ato ishin materiale të klasifikuara zbulimi i të cilave ishte i ndaluar sipas ligjeve ruse. Gjykata tashmë kishte gjetur në disa çështje të kaluara të lidhura me dokumentet e klasifikuara “sekret shtetëror” që Qeveritë përgjegjëse nuk mund të mbështeteshin në dispozitat e ligjeve kombëtare për të justifikuar refuzimin për të vepruar në pajtim me një kërkesë të Gjykatës për paraqitjen e provave.* Sido që të jetë, Qeveria e Rusisë kishte dështuar në dhënien e shpjegimeve të hollësishme lidhur me sekretësinë e qarkoreve dhe, edhe po të kishte interesa legjitime sigurie rreth mos zbulimit të qarkoreve, ekzistonin mundësi sipas nenit 33 § 2 të Rregullores së Gjykatës për kufizimin e qasjes publike ndaj dokumenteve të zbuluara, për shembull me anë të garancive për konfidencialitet. Prandaj Gjykata gjeti që Rusia nuk e kishte përmbushur detyrimin e saj për të ofruar të gjitha lehtësitë e nevojshme për të ndihmuar Gjykatën në detyrën e saj të konstatimit të fakteve të çështjes.
Përfundim: dështim në përmbushjen e nenit 38 (gjashtëmbëdhjetë vota pro, një kundër).
Neni 35 § 1 (shterimi i mjeteve vendase): Nga tetori 2006 kishte filluar një politikë e koordinuar e arrestimit, ndalimit dhe dëbimit të shtetasve gjeorgjianë nga Federata Ruse. Ajo politikë shkonte deri në një praktikë administrative që do të thoshte, në përputhje me praktikën gjyqësore të vendosur të Gjykatës, se rregulla që kërkonte shterimin e mjeteve vendase nuk gjente zbatim.
Duke gjetur këtë, Gjykata shënoi që nuk kishte asgjë që të cenonte besueshmërinë e shifrave të dhëna nga Qeveria e Gjeorgjisë: 4600 urdhra dëbimi kundër shtetasve gjeorgjianë, prej të cilëve rreth 2380 u ndaluan dhe u dëbuan me forcë. Ngjarjet në fjalë – lëshimi i qarkoreve dhe udhëzimeve, arrestimet dhe dëbimet masive të shtetasve gjeorgjianë, arratisjet e grupeve të shtetasve gjeorgjianë nga Moska në Tbilisi dhe letrat dërguar nga zyrtarët rusë shkollave me qëllim të identifikimit të nxënësve gjeorgjianë – kishin ndodhur të gjitha gjatë së njëjtës periudhë kohore nga fundi i shtatorit / fillimi i tetorit 2006.
Përputhshmëria e përshkrimit të atyre ngjarjeve në raportet e organizatave ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare ishte gjithashtu domethënëse. Për më tepër, duke pasur parasysh gjetjen nga Gjykata të shkeljes së nenit 38, supozohej fuqimisht që pretendimet e Qeverisë gjeorgjiane lidhur me përmbajtjen e qarkoreve që urdhëronin dëbimin në mënyrë të veçantë të shtetasve gjeorgjianë ishin të besueshme.
Për sa i përket efektivitetit dhe mundësisë së zgjidhjeve vendase, materiali para Gjykatës tregonte që kishte pasur pengesa reale për shtetasit gjeorgjianë që kishin kërkuar të përdornin zgjidhjet ekzistuese që ekzistonin, si në gjykatat ruse ashtu edhe pas dëbimit në Gjeorgji. Ata ishin sjellë para gjykatave në grupe. Disa nuk ishin lejuar as të hynin në gjykatore, ndërkohë që ata që ishin lejuar u ankuan që intervistat e tyre me gjyqtarët kishin zgjatur mesatarisht pesë minuta pa shqyrtim të duhur të fakteve. Më pas ata ishin urdhëruar të nënshkruanin vendime të gjykatës pa qenë në gjendje të lexonin përmbajtjen ose të merrnin një kopje. Ata nuk kishin pasur përkthyes ose avokat dhe, përgjithësisht, ishin dekurajuar nga ngritja e apelit si nga gjyqtarët ashtu edhe nga policët.
Përfundim: ekzistenca e praktikës administrative (gjashtëmbëdhjetë vota pro, një kundër); kundërshtimi paraprak i rrëzuar (gjashtëmbëdhjetë vota pro, një kundër).
Neni 4 i Protokollit 4: Gjeorgjia pretendoi që shtetasit e saj kishin qenë objekt i një dëbimi kolektiv nga territori i Federatës së Rusisë. Gjykata përsëriti që për qëllime të nenit 4 të Protokollit 4 dëbimi kolektiv duhet të kuptohej si masë që detyronte të huajt, si grup, për t’u larguar nga vendi, përveç rasteve kur një masë e tillë merrej pas, dhe mbi bazën e, një shqyrtimi të arsyeshëm dhe objektiv të çështjes së veçantë të secilit individ të grupit.** Ndryshe nga qëndrimi sipas nenit 1 të Protokollit nr. 7, neni 4 i Protokollit nr. 4 ishte i zbatueshëm edhe nëse personat e dëbuar nuk ishin banorë të ligjshëm në territorin në fjalë.
Gjykata mori parasysh përshkrimet që përputheshin të dhëna nga dëshmitarët gjeorgjianë dhe nga organizatat ndërkombëtare qeveritare dhe jo qeveritare në lidhje me procedurat përmbledhëse të zhvilluara para gjykatave ruse. Ajo vuri re në mënyrë të veçantë që, sipas Komitetit Monitorues të PACE (PACE Monitoring Committee), dëbimet kishin ndjekur një model të përsëritur në tërë vendin dhe që në raportet e tyre organizatat ndërkombëtare i ishin referuar koordinimit mes autoriteteve administrative dhe gjyqësore.
Gjatë periudhës në fjalë gjykatat ruse kishin lëshuar mijëra urdhra dëbimi për të dëbuar shtetasit gjeorgjianë. Edhe pse, formalisht, për secilin shtetas gjeorgjian ishte lëshuar një urdhër gjykate, Gjykata konsideroi që zhvillimi i procedurave të dëbimit gjatë asaj periudhe, pas lëshimit të qarkoreve dhe udhëzimeve, dhe numri i shtetasve gjeorgjianë të dëbuar nga tetori 2006 e më tej e kishte bërë të pamundur kryerjen e një shqyrtimi të arsyeshëm dhe objektiv të çështjes së veçantë të secilit individ.
Ndërkohë që secili Shtet ka të drejtë të vendosë politikat e veta të imigracionit, problemet e trajtimit të prurjeve të migracionit nuk mund të justifikonin praktikat e papajtueshme me detyrimet e Shtetit sipas Konventës.
Përjashtimet e shtetasve gjeorgjianë gjatë periudhës në fjalë nuk ishin zhvilluar në përputhje me, dhe mbi bazën e, shqyrtimit të arsyeshëm dhe objektiv të çështjes së veçantë të secilit individ. Kjo ka çuar në një praktikë administrative në shkelje të nenit 4 të Protokollit Nr. 4.
Përfundim: praktikë administrative në shkelje të nenit 4 të Protokollit Nr. 4 (gjashtëmbëdhjetë vota pro, një kundër).
Dhoma e Madhe gjithashtu gjeti, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që arrestimet dhe ndalimet e shtetasve gjeorgjianë në Rusi gjatë periudhës në fjalë ishin pjesë e një politike të koordinuar të arrestimit, ndalimit dhe dëbimit të shtetasve gjeorgjianë e rrjedhimisht arbitrare. Si të tilla ato përbënin praktikë administrative në shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës. Me të njëjtën shumicë, ajo gjeti që mungesa e zgjidhjeve efektive dhe vënies së tyre në dispozicion për shtetasit gjeorgjianë kundër arrestimeve, ndalimeve dhe urdhrave për dëbime kishte shkelur nenin 5 § 4, ndërkohë që kushtet e ndalimit në të cilat ishin mbajtur shtetasit gjeorgjianë (në numra më të mëdhenj sesa duhet, në kushte të papërshtatshme sanitare dhe shëndetësore, dhe në mungesë të privatësisë), shkonin në praktikë administrative në shkelje të nenit 3. Gjykata po ashtu gjeti shkelje të nenit 13 në lidhje me nenin 5 § 1 (trembëdhjetë vota pro, katër kundër) dhe në lidhje me nenin 3 (gjashtëmbëdhjetë vota pro, një kundër).
Gjykata gjeti (me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër) që nuk kishte shkelje të nenit 1 të Protokollit Nr. 7 (mbrojtjet procedurale lidhur me dëbimin e të huajve), meqenëse ajo dispozitë shprehimisht i referohej “të huajve me banim të ligjshëm në territorin e një Shteti”, dhe nuk ishte konstatuar që gjatë periudhës në fjalë kishte pasur gjithashtu edhe arrestime dhe dëbime të shtetasve gjeorgjianë me banim të ligjshëm në territorin e Rusisë. Së fundi, ajo nuk gjeti shkelje të nenit 8 dhe neneve 1 dhe 2 të Protokollit Nr. 1 (njëzëri).
Neni 41: çështje e rezervuar.
* Davydov dhe të Tjerë kundër Ukrainës, 17674/02 dhe 39081/02, 1 korrik 2010; Nolan dhe K. kundër Rusisë, 2512/04, 12 shkurt 2009, Nota Informative 116; dhe Janowiec dhe të Tjerë kundër Rusisë [GC], 55508/07 dhe 29520/09, Nota Informative 167.
** Shih Čonka kundër Belgjikës, 51564/99, 5 shkurt 2002, Nota Informative 39; shih gjithashtu Sultani kundër Francës, 45223/05, 20 shtator 2007, Nota Informative 100; dhe Hirsi Jamaa dhe të Tjerë kundër Italisë [GC], 27765/09, 23 shkurt 2012, Nota Informative 149.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy