GJYKATA EUROPIANE E TË DREJTAVE
TË NJERIUT SEKSIONI I PARËÇËSHTJA GJERMENI KUNDËR SHQIPËRISË
(Ankimi nr. 57065/14)
VENDIM STRASBURG
8 dhjetor 2016
Ky vendim është i formës së prerë, por mund të bëhet objekt i rishikimit redaktues.Në çështjen Gjermeni kundër Shqipërisë,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Parë), e mbledhur si një Komitet i Përbërë nga:
Kristina Pardalos, Presidente
Pauliine Koskelo, Tim Eicke, gjykatës,
dhe Renata Degener, Zëvendësregjistrare e Seksionit,
Pasi diskutoi me dyer të mbyllura më 15 nëntor 2016,
Lëshon vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në po atë datë:
PROCEDURA
1. Çështja filloi më 8 gusht 2014, me një ankim (nr. 57065/14) kundër Republikës së Shqipërisë, paraqitur në Gjykatë nga një shtetas shqiptar, Z. Ylli Gjermeni (“ankuesi”), sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”).
2. Qeveria shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjentja e saj znj. A. Hicka e Zyrës së Avokatit të Shtetit.
3. Më 15 dhjetor 2015, Qeverisë iu komunikua ankesa për moszbatimin e një vendimi të gjykatës së formës së prerë dhe pjesa e mbetur e ankimit u deklarua e papranueshme sipas Rregullit 54 § 3 të Rregullave të Gjykatës.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
4. Ankuesi ka lindur në vitin 1952 dhe jeton në Tiranë.
5. Më 18 qershor 2009, ankuesi, i cili punonte si Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (“Ministria”), u pushua nga puna.
6. Më 27 janar 2010, Gjykata e Rrethit Tiranë pranoi pjesërisht veprimin e ankuesit ndaj pushimit të tij nga puna. Ajo urdhëroi rikthimin e ankuesit në punë dhe pagesën e dëmeve që korrespondonin me pagat e pesë muajve. Me anë të vendimit të formës së prerë të datës 23 nëntor 2010, Gjykata e Apelit Tiranë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë.
7. Më 6 maj 2011, u lëshua një urdhër gjykate për zbatimin e vendimit.
8. Nga viti 2011 deri në vitin 2014, zyra e përmbarimit bëri përpjekje të pasuksesshme për ekzekutimin e vendimit të formës së prerë.
9. Më 9 dhjetor 2014, më në fund autoritetet i paguan ankuesit dëmet.
10. Më 8 prill 2016, Shërbimi Social Shtetëror i kërkoi Ministrisë të shqyrtonte rikthimin e ankuesit në punë. Në po të njëjtën ditë, Shërbimi Social Shtetëror i adresoi një letër Departamentit të Administratës Publike ku pohohej se pozicioni i Zëvendës Drejtorit ishte i lirë.
II. LIGJI PËRKATËS VENDAS
11. Ligji përkatës vendas është përshkruar në çështjet e Qufaj Co. sh.p.k. kundër Shqipërisë (nr. 54268/00, §§ 21-26, 18 nëntor 2004) dhe Gjyli kundër Shqipërisë (nr. 32907/07, §§ 19-28, 29 shtator 2009).
LIGJI
I. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 6
§ 1 E KONVENTËS
12. Ankuesi paraqiti pakënaqësinë se mosekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, i datës 23 nëntor 2010, shkelte të drejtat e
tij bazuar në nenin 6 § 1 të Konventës, i cili për sa ka të bëjë me çështjen lexon si më poshtë vijon:Neni 6 § 1
“Në përcaktimin e të drejtave civile dhe detyrimeve ... çdo njeri ka të drejtën për një seancë... dëgjimore... nga [një] ... gjykatë...”A. Pranueshmëria
13. Gjykata vëren se kjo ankesë nuk është e pabazuar në fakte sipas kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Më tej gjykata vëren se ankesa nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër. Për këtë arsye, ajo duhet të deklarohet e pranueshme.B. Cilësitë
14. Ankuesi parashtroi se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, i datës 23 nëntor 2010 nuk ishte ekzekutuar plotësisht. Ankuesi nuk ishte rikthyer në pozicionin e tij të mëparshëm.
15. Qeveria parashtroi se çështja ishte zgjidhur. Ankuesit i ishin paguar dëmet dhe rikthimi i tij në pozicionin e punës ishte në proces e sipër. Në vijim, Qeveria i kërkoi Gjykatës ta përjashtonte ankimin në zbatim të nenit 37 § 1 (b) të Konventës.
16. Gjykata rikujton parimet e përgjithshme sipas nenit 6 § 1 të Konventës në lidhje me mosekzekutimin e vendimit të formës së prerë të gjykatës, parime të cilat gjenden, inter alia¸në çështjen Qufaj Co. sh.p.k. (cituar më sipër, §38) dhe tek Gjyli (cituar më sipër, §§ 43-44).
17. Gjykata vëren se vendimi në favor të ankuesit në lidhje me pagesën e dëmeve u zbatua më në fund më 9 dhjetor 2014, katër vjet pasi u bë i formës së prerë më 23 dhjetor 2010 (shiko Gjylin, cituar më sipër § 33). Qeveria nuk paraqiti asnjë justifikim për këtë shtyrje. Gjithashtu, Gjykata vëren se, bazuar në materialin që ajo zotëron, ankuesi nuk është rikthyer në vendin e punës, të paktën deri më 8 prill 2016 (shiko paragrafin 10 më sipër). Qeveria nuk paraqiti ndonjë arsye të vlefshme për mosrikthimin e ankuesit në vendin e punës (shiko Gjylin, cituar më sipër, § 33).
18. Duke marrë në konsideratë këtë praktikë gjyqësore të mirëpërcaktuar për subjektin (Qufaj Co sh.p.k., cituar më sipër; dhe Gjyli, cituar më sipër), Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të nenit 6
§ 1 të Konventës në lidhje me mosekzekutimin e pjesshëm të vendimit të formës së prerë.
II. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
19. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Nëse Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të Protokolleve në të, dhe nëse ligji i brendshëm i Palës së Lartë Kontraktuese në fjalë lejon që të bëhet vetëm kompensim i pjesshëm, nëse është e nevojshme, Gjykata duhet të ofrojë kompensim të drejtë për palën e dëmtuar.”A. Dëmi
20. Ankuesi kërkoi 30,000 (EUR) për dëmin monetar dhe jomonetar. Në lidhje me dëmin monetar, ai parashtroi se kishte marrë para borxh nga një bankë si edhe nga palë të treta private. Ankuesi nuk ngriti asnjë argument tjetër specifik në lidhje me dëmin monetar.
21. Qeveria e kundërshtoi kërkesën e ankuesit.
22. Vendimi i Gjykatës, për të dhënat përpara saj, është se ankuesi nuk kishte demonstruar se dëmi monetar i pretenduar në fakt ishte shkaktuar nga moszbatimi i vendimit të formës së prerë; për këtë arsye ajo e kundërshton këtë kërkesë. Nga ana tjetër, duke bërë një vlerësim të drejtë, ajo i akordon ankuesit 3,300 euro për dëmin jomonetar.B. Interesi i vonuar
23. Gjykata e konsideron të përshtatshëm faktin se norma e interesit të vonuar duhet të bazohet në normën e huadhënies marxhinale të Bankës Qendrore Europiane, së cilës i duhen shtuar pikë tre përqindëshe.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, Ë MËNYRË UNANIME,
1. E deklaron ankimin të pranueshëm;
2. Gjykon se ka pasur një shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës në lidhje me mosekzekutimin e pjesshëm të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë të datës 23 nëntor 2010;
3. Gjykon se Shteti i paditur duhet të sigurojë, me anë të mjeteve të duhura, zbatimin e pjesës së mbetur të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, të datës 23 nëntor 2010, brenda tre muajve;;
4. Gjykon
a) se Shteti i paditur duhet t’i paguajë brenda tre muajve ankuesit 3,300 euro (tre mijë e treqind euro), plus çdo taksë që mund të jetë e tarifueshme, për dëmin jomonetar, çka duhet konvertuar në vlerën monetare të Shtetit të paditur në normën e zbatueshme në datën e kompensimit;
b) se që prej përfundimit të periudhës prej tre muajsh deri në kompensim, interesi i thjeshtë do të paguhet mbi shumën e mësipërme në normën e
barabartë me normën e huadhënies marxhinale të Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës së vonesës plus pikë tre përqindëshe;
5. Rrëzon pjesën e mbetur të kërkesës së ankuesit për kompensim të drejtë.
Hartuar në anglisht dhe njoftuar me shkrim më 8 dhjetor 2016, sipas Rregullit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullave të Gjykatës.
Renata Degener
Zëvendësregjistruese
Kristina Pardalos
Presidente
Shtypshkronja e Qendrës së Botimeve Zyrtare Tiranë, 2017
Adresa: Bulevardi “Gjergj Fishta”
pas ish-Ekspozitës“Shqipëria Sot” Tel:042427005, 04 2427006
Çmimi 84 lekë
Full & Egal Universal Law Academy