SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA GJYLI KUNDËR SHQIPËRISË
(Ankimi nr. 32907/07)
VENDIM
(themeli)
STRASBURG
29 shtator 2009
Ky vendim bëhet i formës së prerë në rrethanat e parashikuara në nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund të jetë objekt rishikimi redaktorial.
Në çështjen Gjyli k. Albania,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i katërt), me trup gjykues të përbërë prej:
Nicolas Bratza, President,
Lech Garlicki,
Giovanni Bonello,
Ljiljana Mijović,
Päivi Hirvelä,
Ledi Bianku,
Nebojša Vučinić, gjyqtarë,
dhe Lawrence Early, sekretar i seksionit,
pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 8 shtator 2009,
Merr në këtë datë vendimin e mëposhtëm:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në një ankim (nr.32907/07) kundër Republikës së Shqipërisë dërguar në Gjykatë sipas nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kryesore të njeriut (Konventa) nga një nënshtetas shqiptar, Z. Ali Gjyli (ankuesi), më 13 korrik 2007.
2. Ankuesi, i cili kishte përfituar ndihmë ligjore, u përfaqësua nga z. S. Puto, avokat, që ushtron profesionin e tij në Tiranë. Qeveria shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjentja e asaj kohe, Znj. S. Meneri.
3. Ankuesi u ankua për moszbatimin e dy vendimeve të gjykatës.
4. Më 7 nëntor 2007 ankimit iu dha përparësi sipas nenit 41 të rregullores së Gjykatës.
5. Më 12 dhjetor 2007 kryetari i trupit gjykues të cilit i ishte caktuar çështja vendosi ta njoftojë Qeverinë për ankimin. Sipas dispozitave të nenit 29 § 3 të Konventës, u vendos të shqyrtohej themeli i ankimit në të njëjtën kohë me pranueshmërinë e çështjes.
6. Secila nga palët, ankuesi dhe Qeveria parashtruan vëzhgimet e tyre me shkrim (neni 59 § 1).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
7. Ankuesi ka lindur në vitin 1945 dhe banon në Durrës, Shqipëri.
A. Proceset në lidhje me heqjen nga puna të ankuesit
8. Ankuesi ishte i punësuar në Shërbimin Kombëtar të Punësimit (SHKP) si Drejtor i Qendrës së Trajnimit Profesional në Durrës (“SHKP-ja e Durrësit). SHKP-ja është në varësi të Ministrisë së Punës. Më 9 korrik 2005, ankuesi u hoq nga puna. Duke e konsideruar heqjen e tij nga puna arbitrare, ai iu drejtua Gjykatës së Rrethit të Durrësit. Ankuesi nuk kërkoi dëmshpërblim për dëm material.
9. Në vendimin e saj të datës 27 shtator 2005, Gjykata e Rrethit të Durrësit e deklaroi të pavlefshme heqjen nga puna si rezultat i një procedure të parregullt dhe urdhëroi kthimin e tij në punë. Më 1 nëntor 2005, SHKP-ja e apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit të Durrësit (Gjykata e Apelit).
10. Me anë të vendimit të datës 12 dhjetor 2005, Gjykata e Apelit të Durrësit e deklaroi ankimin të papranueshëm pasi ai ishte depozituar pas mbarimit të afatit ligjor. Ky gjykim mori formë të prerë pasi për të nuk u depozitua asnjë ankim në Gjykatën e Lartë.
11. Për qëllim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 27 shtator 2005, gjykata lëshon një urdhër ekzekutimi më 22 dhjetor 2005, në përputhje me nenet 510 (a) dhe 511 (a) të Kodit të Procedurës Civile (shih “legjislacionin dhe praktikën e brendshme përkatëse” më poshtë).
12. Më 23 janar 2006 zyra e përmbarimit lëshoi një gjobë për Ministrin e Punës në lidhje me moszbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit. As sot e kësaj dite vendimi i Gjykatës së Rrethit të Durrësit nuk është ekzekutuar.
B. Proceset në lidhje me pagimin e pagave të humbura
13. Në një datë të paspecifikuar, ankuesi depozitoi një ankim në Gjykatën e Rrethit të Durrësit, ku kërkonte pagimin e pagave të humbura që prej 9 korrikut 2005.
14. Më 24 tetor 2006 Gjykata e Rrethit të Durrësit vendosi në favor të ankuesit dhe urdhëroi SHKP-në t’i paguante ankuesit pagën e tij që prej datës 9 korrik 2005 deri në datën e rikthimit të tij në punë.
15. Më 14 qershor 2007, Gjykata e Apelit të Durrës-it e rrëzoi ankimin e bërë nga SHKP-ja. SHKP-ja ankimoi vendimin në Gjykatën e Lartë. Sipas informacionit që i është dhënë Gjykatës, duket se procesi është ende pezull në Gjykatën e Lartë.
16. Më 6 dhjetor 2006, me kërkesë të ankuesit, Gjykata e Rrethit të Durrësit lëshoi një urdhër ekzekutimi për vendimin e saj të datës 24 tetor 2006.
17. Në një datë të paspecifikuar, SHKP-ja kërkoi pezullimin e menjëhershëm të ekzekutimit. Gjykata e Rrethit të Durrësit vendosi që çështja dilte jashtë juridiksionit të saj territorial dhe ia transferoi atë Gjykatës së Rrethit të Tiranës.
18. Më 31 janar 2008 Gjykata e Rrethit të Tiranës rrëzoi padinë e SHKP-së. Në një datë të paspecifikuar, SHKP-ja e ankimoi këtë vendim. Duket sikur çështja është pezull në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
II. LEGJISLACIONI DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Kushtetuta e Shqipërisë
19. Pjesët përkatëse të Kushtetutës së Shqipërisë parashikojnë si më poshtë:
“Neni 42 § 2
Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”
Neni 131
Gjykata Kushtetuese vendos për: ... (f) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave.”
“Neni 142 § 3
Organet e shtetit janë të detyruara të zbatojnë vendimet gjyqësore.”
B. Akti i Gjykatës Kushtetuese (organizimi dhe funksionimi) (ligji nr.8577) i datës 10 shkurt 2000
20. Akti i Gjykatës Kushtetuese, në pjesën që lidhet me këtë çështje, parashikon si më poshtë:
“Neni 81 – Ekzekutimi i vendimeve
1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese.
2. Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese sigurohet nga Këshilli i Ministrave nëpërmjet organeve përkatëse të administratës shtetërore.
3. Gjykata Kushtetuese mund të caktojë një tjetër organ përgjegjës për ekzekutimin e vendimeve të tij, dhe, sipas nevojës, dhe metodën e ekzekutimit të tij.
4. Personat që nuk zbatojnë ose parandalojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kur veprimi i tyre nuk përbën një vepër penale, janë objekt i një gjobe (...) të vënë nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, vendimi i të cilit është përfundimtar dhe përbën një titull ekzekutiv.”
C. Jurisprudenca përkatëse e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë
1. Vendimi nr.6/06 i datës 31 mars 2006
21. Çështja kishte të bënte me një mosmarrëveshje pune, të ardhur si rezultat i heqjes së ankuesit nga puna. Gjykatat e brendshme vendosën për kthimin në punë të ankuesit dhe urdhëruan pagimin e pagave të tij të munguara. Përderisa përmbaruesit nuk ishin efektivë në zbatimin e vendimit përfundimtar kundër bashkisë, ankuesi iu drejtua në Gjykatën Kushtetuese.
22. Me anë të vendimit nr.6 të datës 31 mars 2006, Gjykata Kushtetuese, duke pasur parasysh vendimin e kësaj Gjykate në çështjen Qufaj Co. sh.p.k. kundër Shqipërisë (nr.54268/00, 18 nëntor 2004), vendosi se kishte shkelje të së drejtës së ankuesit për një proces të rregullt ligjor për shkak të moszbatimit të vendimit përfundimtar të Gjykatës. Gjithsesi, ankuesit nuk iu dha asnjë dëmshpërblim.
2. Vendimi nr. 43/07 i datës 13 nëntor 2007
23. Çështja kishte të bënte me moszbatimin e një vendimi të një gjykate të brendshme për pagimin e pagave të papaguara të ankuesit nga një njësi administrative e qeverisë vendore (këshilli i rrethit).
24. Gjykata Kushtetuese u shpreh se argument i palës së paditur për mungesë fondesh ishte i pamjaftueshëm dhe nuk mund të justifikonte mosplotësimin e detyrimit për ankuesin. Në vendim, në pjesët që lidhen me këtë çështje, thuhet:
“(...) Gjykata Kushtetuese nuk gjen ndonjë shkak të arsyeshëm që justifikon cenimin e së drejtës së ankuesit për një proces të drejtë ligjor, të shkaktuar nga moszbatimi nga autoritetet përkatëse të vendimit përfundimtar të gjykatës. Ajo është e mendimit se në procesin në fjalë pala debitore ka pasur të gjitha mjetet e disponueshme gjatë të gjithë kohës, që prej datës së marrjes së vendimit e në vijim, për të paguar ankuesin në shumën e përcaktuar në vendimin e gjykatës. Për më tepër, gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata Kushtetuese nuk mundi të dallonte masa konkrete të palës debitore apo të shihte demonstrim prej saj të vullnetit për të zbatuar vendimin që rridhte nga vendimi i gjykatës.
Për më tepër, në lidhje me organin përgjegjës sipas ligjit për zbatimin e vendimeve të formës së prerë të gjykatave, pra përmbaruesit, Gjykata Kushtetuese shprehet se ata duhet të zbatojnë me korrektësi të gjithë legjislacionin përkatës procedural, pavarësisht nga fakti që pala debitore është institucion shtetëror. Të gjitha palët, qoftë subjekte private ose publike, mbajnë të njëjtën përgjegjësi kur përballen me detyrimin për të zbatuar një vendim të formës së prerë të gjykatës.
Për të përfunduar, duke pasur parasysh arsyetimin e mësipërm, në proceset në fjalë, Gjykata Kushtetuese konstaton se moszbatimi i vendimit përfundimtar (...) të gjykatës përbën shkelje të së drejtës së ankuesit për proces të rregullt ligjor, siç parashikohet në nenin 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 § 1 të Konventës.”
25. Gjithsesi, ankuesit nuk iu dha asnjë dëmshpërblim.
3. Vendimi nr.1/09 dhe 6/09 i datës 19 janar dhe 6 mars 2009
26. Vendimi nr.1/09 ka të bëjë me moszbatimin e një vendimi përfundimtar administrativ në lidhje me kthimin në punë të ankuesit dhe pagimin e pagave të humbura prej tij. Vendimi nr. 6/09 kishte të bënte me moszbatimin e një vendimi përfundimtar të gjykatës në lidhje me lirimin e një parcele toke.
27. Në të dyja vendimet, Gjykata Kushtetuese deklaroi se kishte pasur shkelje të së drejtës së ankuesit për akses në gjykatë për shkak të moszbatimit të një vendimi përfundimtar administrativ dhe për moszbatim të një vendimi të gjykatës. Gjykata Kushtetuese nuk urdhëroi rikthimin në punë të ankuesit në lidhje me vendimin nr.1/09. Asnjërit nga ankuesve nuk iu dha asnjë dëmshpërblim për dëme material ose jomateriale.
D. Kodi i Procedurës Civile
28. Pjesët përkatëse të Kodit të Procedurës Civile parashikojnë si më poshtë:
“Neni 451 – Vendimi i formës së prerë
Vendimi i gjykatës merr formë të prerë kur:
a) nuk mund të bëhet ankim kundër tij;
b) nuk është bërë ankim kundër tij brenda afateve të caktuara nga ligji ose kur ankesa është tërhequr;
c) ankesa e paraqitur nuk është pranuar;
d) vendimi i gjykatës është lënë në fuqi, ndryshuar ose është pushuar gjykimi në shkallë të dytë.
Neni 479 – Pezullimi i ekzekutimit të vendimit
Gjykata e Lartë pezullon ekzekutimin e vendimit kur:
a) ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të rënda e të pariparueshme;
b) pala që ka bërë rekursin depoziton garanci materiale që siguron ekzekutimin e vendimit.”
Neni 510 – Titujt ekzekutivë
Ekzekutimi i detyrueshëm mund të bëhet vetëm në bazë të një titulli ekzekutiv.
Janë tituj ekzekutivë:
a) vendimet civile të gjykatës që kanë marrë formë të prerë. ...
Neni 511 – Urdhri i ekzekutimit
“Titulli ekzekutiv vihet në ekzekutim me kërkesën e kreditorit. Për këtë qëllim lëshohet urdhri i ekzekutimit, i cili jepet:
a) nga gjykata që ka dhënë vendimin në rastet e parashikuara në [nenin 510 (a)];
(...).”
LEGJISLACIONI
I. PRETENDIM PËR SHKELJE TË NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS
29. Ankuesi u ankua sipas nenit 6 § 1 të Konventës për moszbatim të vendimit të Gjykatës së Durrësit të datës 27 shtator 2005, që urdhëronte kthimin e tij në detyrë dhe të vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 24 tetor 2006, që urdhëronte pagimin e pagave të munguara për të.
Neni 6 § 1 i Konventës, në pjesët që lidhen me këtë çështje, parashikon si më poshtë:
“Në ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile, ... çdo person ka të drejtën e një procesi të drejtë ligjor ... nga [një] ... gjykatë ...”
A. Pranueshmëria
1. Moszbatimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 24 tetor 2006 në lidhje me pagimin e pagesave të munguara
30. Qeveria u shpreh se ankuesi nuk kishte shteruar mjetet e brendshme juridike në lidhje me këtë ankim. Deri më sot, procesi është pezull në Gjykatën e Lartë (shih paragrafët 13–15 më lart).
31. Ankuesi pranoi se proceset ishin pezull para Gjykatës së Lartë, por pretendon se vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës ishte i zbatueshëm. Gjykata e Lartë nuk kishte pezulluar zbatimin sipas nenit 479 të Kodit të Procedurës Civile.
32. Në çështjen në fjalë, Gjykata vë re se vendimi i Gjykatës së Rrethit Durrës të datës 24 tetor 2006, i pranuar nga vendimi i Gjykatës së Apelit të Durrësit të datës 14 qershor 2007, njihte të drejtën e ankuesit për pagimin e pagesave të tij të munguara nga 9 korriku 2005 deri në datën e kthimit të tij në punë. Në përputhje me nenet 510(a) dhe 511(a) të Kodit të Procedurës Civile u lëshua një urdhër ekzekutimi. Ndërkohë, pala e paditur apeloi në Gjykatën e Lartë të dyja vendimet e gjykatave më të ulëta (shih paragrafin 15 më lart).
33. Në këto rrethana, Gjykata është e mendimit se vendimi i Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 24 tetor 2006 nuk mund të konsiderohet përfundimtar dhe detyrues, pasi ai ishte i hapur për ankim. Në fakt, procesi i apelimit është pezull para Gjykatës së Lartë. Edhe nëse një ankesë në Gjykatën e Lartë nuk ka efekt pezullues automatik dhe, pavarësisht nga kompetencat e Gjykatës së Lartë sipas nenit 479 të Kodit të Procedurës Civile, Gjykata kujton se neni 6 mbron zbatimin e vendimeve përfundimtare dhe detyruese, dhe jo vendimeve të cilat mund të jenë objekt i kontrollit të mëpasshëm të një gjykate të një niveli më të lartë, dhe, eventualisht, mund të rrëzohen (shih, për shembull, Ouzounis dhe të tjerë kundër Greqisë, nr. 49144/99, § 21, 18 prill 2002; Ioannis Karahalios kundër Greqisë (ven.), nr.62499/00, 26 shtator 2002; Xheraj kundër Shqipërisë, nr.37959/02, § 70, 29 korrik 2008).
34. Duke pasur parasysh proceset pezull në Gjykatën e Lartë, çfarë do të thotë që vendimi i Gjykatës së Rrethit Durrës nuk ka efekt res judicata, Gjykata është e mendimit se kjo ankesë nuk është e pranueshme, pasi është e parakohshme dhe duhet të rrëzohet sipas nenit 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës.
2. Moszbatimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 27 shtator 2005 në lidhje me kthimin në punë të ankuesit
35. Qeveria kontestoi zbatueshmërinë e nenit 6 § 1, duke u mbështetur në vendimin për çështjen Pellegrin kundër Francës ([GC] nr.28541/95, §§ 66-67, ECHR 1999‑VIII). Prej saj u sqarua se mosmarrëveshjet që rrjedhin nga punësimi ndërmjet shtetit dhe nëpunësve të tij civilë, si rregull, nuk konsiderohen si “civile” në kuptimin e nenit 6 § 1 të Konventës.
36. Qeveria parashtroi gjithashtu se Gjykata Kushtetuese ishte një mjet juridik për t’u shteruar në lidhje me moszbatimin e një vendimi përfundimtar të gjykatës. Ata iu referuan vendimit të kësaj Gjykate në çështjen Qufaj Co. sh.p.k. kundër Shqipërisë, (nr.54268/00, § 42, 18 nëntor 2004), siç aplikohet nga Gjykata Kushtetuese (vendimet nr.6/06 dhe 43/07, shih paragrafët 21-27 më lart).
37. Gjykata thekson se neni 6 § 1 nën kokën “civile” të tij është i zbatueshëm për të gjitha mosmarrëveshjet që përfshijnë nëpunësit civilë, në përjashtim të rasteve kur legjislacioni i brendshëm përjashton shprehimisht aksesin në një gjykatë për postin ose kategorinë e stafit/personit në fjalë, dhe kur ky përjashtim është i justifikuar me arsye objektive në interes të shtetit. Në parim nuk mund të ketë justifikim për përjashtim nga garancitë e nenit 6 të mosmarrëveshjeve të zakonshme të punës, të tilla si mosmarrëveshje që lidhen me pagat, dietat apo çështje të tilla të ngjashme, mbi bazën e natyrës së posaçme të marrëdhënies ndërmjet nëpunësit civil të veçantë dhe shtetit në fjalë (shih Eskelinen dhe të tjerët kundër Finlandës, nr.43803/98, § 62, 8 gusht 2006).
38. Duke iu kthyer çështjes në fjalë, Gjykata vë re se pretendimi civil i ankuesit u shqyrtua dhe u zgjidh nga gjykatat e brendshme sipas rregullave të zakonshme të procedurës civile. Ankuesi nuk u përjashtua nga legjislacioni i brendshëm nga “aksesi në gjykatë” brenda kuptimit të nenit 6 të Konventës. Bazuar në testin e zhvilluar në çështjen Eskelinen dhe të tjerë, cituar më lart, Gjykata arrin në përfundimin se neni 6 është i zbatueshëm në proceset e brendshme në fjalë.
39. Gjykata është e mendimit se çështja e shterimit të mjeteve të brendshme ligjore është e lidhur ngushtë dhe thelbësore për çështjen e efektivitetit të ankesës kushtetuese në lidhje me moszbatimin e një vendimi përfundimtar gjykate, i cili është shqyrtuar sipas nenit 13 më poshtë (shih paragrafët 48-61 më poshtë).
40. Ajo konstaton se ky ankim nuk është haptazi i pabazuar në kuptimin e nenit 35 § 3 të Konventës. Ajo konstaton më tej se kërkesa nuk është e papranueshme për arsye të tjera. Si rezultat, ajo duhet deklaruar e pranueshme.
B. Themeli
1. Parashtrimet e palëve
41. Qeveria parashtroi se emërimi i ankuesit si Drejtor i Qendrës së Trajnimit Profesional në Durrës kishte qenë i paligjshëm. Si rezultat, ai ishte hequr nga puna.
42. Ankuesi deklaroi se vendimi i Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 27 shtator 2005, i cili ishte bërë vendim i formës së prerë më datë 14 janar 2006, nuk ishte zbatuar, duke përbërë kështu shkelje të nenit 6 të Konventës. Përpjekjet e ndërmarra nga përmbaruesi kishin qenë të pamjaftueshme dhe jo efektive.
2. Vlerësimi i Gjykatës
43. Gjykata thekson se një vonesë e tejzgjatur e paarsyeshme në zbatimin e një vendimi përfundimtar dhe detyrues mund të shkelë Konventën (shih Burdov kundër Rusisë, nr.59498/00, ECHR 2002‑III). Arsyeshmëria e një vonese të tillë duhet përcaktuar duke pasur parasysh në veçanti kompleksitetin e zbatimit të proceseve, sjelljen e vetë ankuesit dhe të organeve kompetente dhe masën dhe natyrën e dëmshpërblimit të përcaktuar nga gjykata (shih Raylyan kundër Rusisë, nr. 22000/03, § 31, 15 shkurt 2007).
44. Një person që ka marrë një vendim kundër shtetit mund të mos pritet të kërkojë një proces të posaçëm për zbatimin (shih Metaxas kundër Greqisë, nr. 8415/02, § 19, 27 maj 2004). Në raste të tilla, autoriteti i shtetit të paditur duhet njoftuar në kohë për vendimin dhe në këtë mënyrë të jetë i mirëpozicionuar për ta përmbushur vendimin ose për t’ia transferuar atë një tjetër autoriteti shtetëror që është përgjegjës për ekzekutimin.
45. Gjykata vë re se Qeveria nuk parashtroi ndonjë arsye bindëse për moszbatimin nga autoritetet përgjegjëse të vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 27 shtator 2005. Në lidhje me sugjerimin e Qeverisë se emërimi i ankuesit ishte i padrejtë, gjykatat e brendshme vendosën në favor të tij. Rreziku i çdo gabimi duhet t’i ngarkohet shtetit dhe ato (gabimet) nuk duhet të ndreqen në kurriz të individit përkatës (shih Xheraj, cituar më lart, § 58).
46. Autoritetet kombëtare duket se nuk kanë bërë përpjekje për t’i ofruar ankuesit një zgjidhje alternative, për shembull për t’i dhënë atij një tjetër pozicion të të njëjtit nivel. Nuk ka informacion për të dëshmuar se zbatimi përfshinte ndonjë kompleksitet specifik. Ankuesi nuk e pengoi zbatimin. Gjykata nuk gjen justifikim për këtë periudhë moszbatimi, e cila vijon dhe sot e kësaj dite dhe ka cenuar thelbin e të drejtës së ankuesit për një proces të rregullt në gjykatë.
47. Për arsyet e lartpërmenduara, Gjykata është e mendimit se ka shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës.
II. SHKELJE E NENIT 13 NË LIDHJE ME NENIN 6 § 1 TË KONVENTËS
48. Ankuesi nuk u ankua për mungesë të mjeteve ligjore të brendshme efektive në lidhje me moszbatimin e vendimeve në favor të tij.
49. Gjithsesi, Gjykata vë re se mungesa e efektivitetit të masave të brendshme ligjore po rritet gjithnjë e më tepër përpara kësaj Gjykate në çështjet që lidhen me moszbatimin ose zbatimin e vonuar të vendimeve të brendshme të formës së prerë. Si rezultat, Gjykata ka vendosur me mocion të saj të shqyrtojë këtë çështje sipas nenit 13 të Konventës (shih, për shembull, Burdov kundër Rusisë (nr.2), nr.33509/04, §§ 89-117, 15 janar 2009; Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë, nr. 7352/03, 22 gusht 2006; dhe Qufaj Co. sh.p.k. kundër Shqipërisë, nr.54268/00, 18 nëntor 2004).
Neni 13 i Konventës thotë:
“Çdo personi, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e njohura nga kjo Konventë, ka të drejtë të paraqesë një ankim efektiv përpara një instance kombëtare dhe kur kjo shkelje është kryer nga persona që veprojnë brenda funksioneve të tyre zyrtare.”
A. Pranueshmëria
50. Gjykata është e mendimit se kjo ankesë nuk është haptazi e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 të Konventës. Ajo konstaton se kërkesa nuk është e papranueshme për shkak të ndonjë baze tjetër. Si rezultat, Gjykata e deklaron atë të pranueshme.
B. Themeli
1. Parashtrimet e palëve
51. Qeveria u shpreh se një ankim kushtetues është mjet efektiv ligjor në kuadrin e vendimit të Gjykatës në çështjen Qufaj Co. sh.p.k., të cituar më lart dhe në jurisprudencën e Gjykatës (shih paragrafët 21-27 më lart).
52. Ankuesi u shpreh se një ankim kushtetues rreth moszbatimit të një vendimi përfundimtar të gjykatës nuk është masë efektive, siç kërkohet në nenin 13 të Konventës. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese (shih paragrafët 21-27 më lart) u kufizuan në gjetjen e një shkeljeje të një natyre deklarative. Ata nuk parashikonin një mjet efektiv ligjor apo nuk e eliminuan vijimësinë e shkeljes përsa i përket moszbatimit të një vendimi përfundimtar të gjykatës.
2. Vlerësimi i Gjykatës
A. Parimet e përgjithshme
53. Neni 13 i Konventës garanton disponueshmërinë në nivelin kombëtar të një mjeti ligjor për të zbatuar thelbin e të drejtave dhe lirive të Konventës në çdo lloj forme që mund të jetë parashikuar në rendin e tyre të brendshëm ligjor. Efekti i nenit 13 në këtë mënyrë kërkon ofrimin e mjeteve të brendshme juridike për të trajtuar përmbajtjen e një “ankese të diskutueshme” sipas Konventës dhe për të dhënë kompensimin e duhur (shih Kudła kundër Polonisë [GC], nr. 30210/96, § 157, ECHR 2000‑XI).
54. Objekti i detyrimeve të shteteve kontraktuese sipas nenit 13 ndryshon në varësit të natyrës së ankimit të ankuesit; gjithsesi, mjeti juridik i nenit 13 ndryshon në varësi të natyrës së ankimit të ankuesit; gjithsesi, mjeti juridik i kërkuar nga neni 13 duhet të jetë “efektiv” si në praktikë, dhe në ligj (shih, për shembull, İlhan kundër Turqisë [GC], nr. 22277/93, § 97, ECHR 2000-VII) në kuptimin ose të parandalimit të shkeljes së pretenduar ose të vijimësisë së saj, ose të ofrimit të kompensimit të përshtatshëm për çdo shkelje të ndodhur (shih Kudla, cituar më lart, § 158).
B. Ankimi në çështjen në fjalë
55. Gjykata vë re se në sistemin ligjor shqiptar çdokush që mendon se i janë shkelur të drejtat e tij për një proces të rregullt ligjor, mund, nëse ka shteruar të gjitha mjetet e brendshme juridike, të depozitojë një ankim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese sipas nenit 131 (f) të Kushtetutës.
56. Në vendimin e saj për çështjen Qufaj Co. sh.p.k. (cituar më lart, § 42), Gjykata konstatoi se:
“Gjykata Kushtetuese ishte kompetente për të trajtuar ankimin e shoqërisë tregtare të ankuesit në lidhje me moszbatimin e një vendimi përfundimtar si pjesë e juridiksionit të saj për të siguruar të drejtën e një gjykimi të drejtë”.
Ky element i së drejtës për një proces të drejtë ligjor u reflektua për herë të parë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.6/06 dhe më pas u pranua dhe në vendimet e saj nr.43/07, 1/09 dhe 6/09.
57. Në çështjen në fjalë, gjithsesi, Gjykata vë re se ankuesi nuk depozitoi një ankim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me moszbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 27 dhjetor 2005. Gjykata duhet të përcaktojë nëse mjetet ligjore të sipërpërmendura kanë qenë “efektive” në kuptimin ose të parandalimit të shkeljes së pretenduar ose të vijimësisë së saj, ose të ofrimit të dëmshpërblimit të përshtatshëm për çdo shkelje të ndodhur.
58. Gjykata vë re se vendimet e Gjykatës Kushtetuese (shih paragrafët 21-27 më lart) njohën se ka një shkelje të së drejtës së ankuesit për akses në gjykatë lidhur me moszbatimin e vendimeve të gjykatave së brendshme. Gjithsesi, gjetjet e tyre ishin deklaruese në kuptimin që Gjykata Kushtetuese nuk ofroi ndonjë dëmshpërblim efektiv. Më specifikisht, ajo nuk dha ndonjë dëmshpërblim për dëme materiale e jo-materiale, dhe as që mundi të ofrojë një perspektivë të qartë për të parandaluar një shkelje të pretenduar ose vijimësinë e saj.
59. Për më tepër, Gjykata vë re se veprimet e përmbaruesit nuk ishin efektive në rastin në fjalë. Plus, Qeveria nuk konsideroi praninë e ndonjë mase alternative parandaluese, e cila, në rrethanat e kësaj çështjeje, do t’i ishte ofruar ankuesit.
60. Gjykata arrin në përfundimin se, si rrjedhim, ka shkelje të nenit 13 në lidhje me nenit 6 § 1 të Konventës.
61. Mbi këtë bazë, kundërshtimi paraprak i Qeverisë, bazuar në mosshterimin e mjeteve të brendshme juridike, duhet të rrëzohet.
III. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
62. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese mundëson vetëm ndreqje të pjesshme të pasojave që kanë rrjedhur nga kjo shkelje, Gjykata, nëse është e nevojshme, i jep palës së dëmtuar një shpërblim të drejtë”
A. Dëmi material
63. Ankuesi pretendoi 2,724,965 lekë (rreth 22,272 euro) në lidhje të dëmit material. Ai parashtroi shumën për pagën e munguar nga 9 korriku i 2005-ës deri më 31maji i 2008-ës, duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 24 tetor 2006.
64. Qeveria parashtroi se procesi në lidhje me pagimin e pagave të munguara të ankuesit është pezull në Gjykatën e Lartë. Ajo i kërkoi Gjykatës të pezullojë shqyrtimin e nenit 41 deri në daljen e vendimit të Gjykatës së Lartë. Ndërkohë që qeveria u zotua se do të dërgonte një tabelë me vlerësimin e pagave të prapambetura të ankuesit, deri tani nuk është dhënë asnjë informacion për këtë gjë.
65. Gjykata rithekson se një vendim në të cilin ajo gjen shkelje ngarkon mbi shtetin e paditur një detyrim ligjor për të përfunduar shkeljen dhe për të bërë riparimin e pasojave të saj sipas Konventës (shih, për shembull, Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë, nr.7352/03, § 110, 22 gusht 2006).
66. Ndërmjet çështjeve që Gjykata merr parasysh kur vlerësohet kompensimi janë dëmi material (humbja që pësohet si rezultat i drejtpërdrejtë i shkeljeve të pretenduara) dhe dëmi jomaterial (dëmshpërblim për ankthin, problemet apo pasiguritë e vuajtura si rezultat i shkeljes) dhe dëme të tjera jomateriale (shih, ndërmjet të tjerash, Ernestina Zullo kundër Italisë, nr.64897/01, § 25, 10 nëntor 2004). Për më tepër, nëse një ose më shumë zëra dëmi nuk mund të përllogariten saktë ose nëse dallimi ndërmjet dëmit material ose jomaterial është i vështirë të bëhet, Gjykata mund të vendosë të bëjë një vlerësim të përgjithshëm (shih Comingersoll kundër Portugalisë [GC], nr. 35382/97, § 29, ECHR 2000-IV).
67. Gjykata është e mendimit se çështja e dëmshpërblimit për moskthimin në detyrë të ankuesit mund të jetë e lidhur me procesin pezull para Gjykatës së Lartë në lidhje me pagat e humbura. Si rrjedhojë, Gjykata është e mendimit se çështja e zbatimit të nenit 41 në lidhje me dëmin material nuk është gati për vendim. Si rezultat, çështja duhet rezervuar dhe duhet të fiksohet procedura e mëtejshme në varësi të zhvillimeve të brendshme për procesin e pagave të munguara.
B. Dëmi jomaterial
68. Ankuesi kërkoi 1,500,000 lekë (rreth 12,260 euro) në lidhje me dëmin jomaterial. Qeveria nuk ra dakord me shumën e kërkuar nga ankuesi.
69. Gjykata pranon se ankuesi ka vuajtur nga stresi i cili mund të ishte shmangur nëse autoritetet do të kishin respektuar vendimin përfundimtar. Në këtë pikë, duke e bërë vlerësimin e saj mbi një bazë të barabartë, Gjykata i dha ankuesit 2,100 euro për dëmin jomaterial.
C. Kostot dhe shpenzimet
70. Ankuesi kishte marrë 850 euro si ndihmë ligjore nga Këshilli i Evropës në lidhje me prezantimin e kësaj çështje dhe kërkoi 162,194 lek (rreth 1,277 euro) për shpenzimet ligjore të dala nga proceset e brendshme ligjore. Ai ofroi dokumente mbështetëse në lidhje me postimin, tarifat ligjore dhe taksën e paguar për përmbaruesin për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 24 tetor 2006. Ankuesi kërkoi 3,665 euro për shpenzimet për shqyrtimin e çështjes në Strasburg. Për këtë qëllim, ai dorëzoi një faturë.
71. Qeveria kontestoi pretendimet e ankuesit për kostot dhe shpenzimet, duke u shprehur se tarifat ligjore të brendshme dhe të Strasburgut nuk bazoheshin në fatura të tatueshme të njohura zyrtarisht.
72. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një ankues ka të drejtën e rimbursimit të kostove dhe shpenzimeve të tij vetëm për aq kohë sa është dëshmuar se këto kosto e shpenzime janë kryer realisht e kanë qenë të nevojshme dhe kur janë të arsyeshme në sasi (shih, për shembull, Xheraj, cituar më lart, § 85).
73. Në lidhje me kostot dhe shpenzimet për proceset e brendshme, Gjykata vë re se ajo është e kënaqur me tarifat e postimit siç janë pretenduar nga ankuesi. Ajo mendon se tarifat ligjore të dala në grupin e parë të proceseve ligjore janë të arsyeshme duke pasur parasysh informacionin që zotëron. Gjithsesi, ajo nuk pranon rimbursimin e tarifave ligjore dhe taksës së përmbaruesit për sa i përket grupit të dytë të proceseve, pasi e ka shpallur të papranueshme këtë ankim.
74. Në lidhje me kostot dhe shpenzimet për procesin në Gjykatën e Strasburgut, Gjykata vë re se kjo çështje nuk ishte komplekse. Për to, duke pasur parasysh jurisprudencën e saj, Gjykatës nuk ju desh kërkim i zgjeruar, dhe as nuk duhej ndonjë mbështetje e madhe në prova.
75. Në këto rrethana dhe duke pasur parasysh detajet e pretendimeve të parashtruara nga ankuesi, Gjykata i jep atij në lidhje me procesin e brendshëm dhe atë të Strasburgut 3,000 euro minus 850 euro të marra si ndihmë ligjore nga Këshilli i Evropës.
C. Interesi i munguar
76. Gjykata e mendon të arsyeshme se interesi i munguar duhet të bazohet në nivelin marxhinal të huasë së Bankës Qendrore Evropiane, mbi të cilën duhet të shtohen tre përqind.
Për këto arsye, gjykata, në mënyrë unanime:
1. Deklaron ankimin sipas nenit 6 § 1 të Konventës në lidhje me moszbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrës, të datës 24 tetor 2006 të papranueshëm.
2. Bashkohet me themelin e kundërshtimit paraprak të Qeverisë në lidhje me mosshterimin e mjeteve të brendshme juridike nga ankuesi përsa i përket vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 27 shtator 2005 dhe e deklaron pjesën tjetër të ankimit të pranueshëm.
3. Vendos se ka shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës në lidhje me moszbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 27 shtator 2005.
4. Vendos se ka shkelje të nenit 13 në lidhje me nenin 6 § 1 të Konventës përsa i përket mungesës së mjeteve ligjore efektive për moszbatimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit të datës 27 shtator 2005 dhe rrjedhimisht rrëzon kundërshtimin paraprak të Qeverisë.
5. Vendos:
a) se shteti i paditur do t’i paguajë ankuesit, brenda tre muajsh nga data në të cilën vendimi bëhet përfundimtar sipas nenit 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme, të konvertuara në monedhën e shtetit të paditur, të aplikueshme në datën e pagimit:
i) 2,100 (dy mijë e njëqind) euro, plus çdo tatim që mund të vendoset në lidhje me dëmin jomaterial;
ii) 2,150 (dy mijë e njëqind e pesëdhjetë) euro, plus çdo tatim që mund të vendoset në lidhje me kostot dhe shpenzimet;
b) që prej skadimit të tremujorit të përmendur më lart deri në kryerjen e pagesës për ankuesin, do të paguhen interesa të thjeshtë mbi shumën e sipërpërmendur sipas një niveli interesi të barabartë me nivelin marxhinal të huasë së Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës së mospagimit, plus tre përqind.
6. Vendosi që çështja e zbatimit të nenit 41 të Konventës në lidhje me dëmin material nuk është gati për vendim.
Si rezultat:
a) e rezervon këtë çështje;
b) fton Qeverinë e paditur dhe ankuesit të parashtrojnë, brenda tre muajve në vijim nga data kur vendimi bëhet përfundimtar, në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, vëzhgimet e tyre të shkruara për çështjen, dhe, në veçanti, të njoftojnë Gjykatën për zhvillimet e brendshme;
c) rezervon procedurën e mëtejshme dhe i delegon kryetarit të trupit gjykues kompetencën e fiksimit të kësaj çështjeje nëse është e nevojshme.
E bërë në anglisht dhe e njoftuar me shkrim në datën 29 shtator 2009, në përputhje me nenin 77 § 2 dhe 3 të rregullores së Gjykatës.
Lawrence Early
Sekretar
Nicolas Bratza
Kryetar
Full & Egal Universal Law Academy