GILLAN DHE QUINTON kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(kërkesa nr. 4158/05)
12 janar 2010
ndalimi dhe kontrolli i personave nga policia britanike në bazë të legjislacionit kundër terrorizmit ngre probleme sipas neneve 5 dhe 8 të Konventës
I. Faktet kryesore
1.Kërkuesit, Kevin Gillan dhe Quinton Pennie, janë shtetas britanikë të cilët kanë lindur respektivisht në vitet 1977 dhe 1971 dhe jetojnë në Londër. Në shtator 2003 ata u ndaluan dhe kontrolluan nga policia britanike në bazë të neneve 44-47 të Ligjit mbi Terrorizmit të vitit 2000, ndërsa po shkonin për të marrë pjesë në një demonstratë pranë një panairi armatimesh në zonën e Docklands në Londrën Lindore. Z. Gillan ishte mbi biçikletë dhe të mbante një çantë shpine, kur u ndalua dhe u kontrollua nga dy oficerë të policisë. Z. Quinton, që ishte gazetar, u ndalua dhe u kontrollua nga një oficer i policisë dhe i cili edhe urdhëroi të ndaluar filmimin, pavarësisht nga fakti se ai i tregoi cartën e tij profesionale si gazetar.
2.Në bazë të Ligjit të vitit 2000, një oficer i lartë i policisë kur vlerëson të "dobishme për parandalimin e akteve të terrorizmit" mund të autorizojë çdo polic me uniformë brenda një zone të veçantë gjeografike për të ndaluar çdo person dhe për ta kontrolluar atë dhe çdo gjë që ai ka me vete. Autorizimi duhet të konfirmohet nga Sekretari i Shtetit brenda 48 orësh. Kontrolli mund të kryhet pavarësisht nëse polici në fjalë arsye që të dyshojë, por synon vetëm objekte që mund të përdoren në lidhje me terrorizmin.
3.Ankesat dhe apelet e kërkuesve në lidhje me ndalimet dhe kontrollet e tyre nuk patën sukses. Dhoma e Lordëve u shpreh se ishte e dyshimtë nëse një kontroll rutinë dhe sipërfaqësor i një personi mund të thuhet se tregon mungesë respekti për jetën private, në mënyrë që të fusë në veprim nenin 8 të Konventës. Edhe në qoftë se neni 8 gjen zbatim, vazhduan Lordët britanikë, procedura ka qenë në përputhje me ligjin dhe se do të ishte e pamundur që një ushtrim si duhet i pushtetit të konsiderohet se nuk është proporcional kur ka për qëllim që të parandalojë rrezikun e madh të terrorizmit.
II. Vendimi i Gjykatës
4.Kërkuesit u ankuan se përdorimi i kompetencës së parashikuar nga neni 44 i Ligjit kundër Terrorizmit për të ndaluar dhe të kontrolluar secilin prej tyre ka shkelur të drejtat e tyre sipas neneve 5, 8, 10 dhe 11.
A.Në lidhje me nenin 8
5.Gjykata u shpreh se përdorimi i kompetencave të parashikuara nga ligji për t’i kërkuar një individi që ti nënshtorhet një kontrolli të imët të personit, veshjeve dhe sendeve personale përbën një ndërhyrje të qartë ndaj të drejtës për respektimin e jetës private. Natyra publike e kërkimit, duke e vënë në pozitë të vështirë personat të cilët detyrohen të nxjerrin në publik të dhënat personale, në raste të caktuara mund edhe rëndojë seriozitetin e ndërhyrjes, për shkak të elementit të poshtërimit dhe sikletit që përmban. Në vlerësimin nëse ndërhyrja është në përputhje me ligjin, Gjykata vërejti se në fazën e autorizimit nuk kishte kritere që ndalimi dhe kontrolli të konsideroheshin si të “nevojshme”. Vetëm kriteri “të përshtatshme” figuronte në këtë drejtim. Megjithëse autorizimi i nënshtrohej konfirmimit brenda 48 orëve nga ana e Sekretarit të Shtetit, nuk ishte e mundur të ndryshohej zona gjeografike e mbuluar. Gjithashtu, edhe pse Sekretari i Shtetit mund ta refuzonte konfirmimin ose ta kufizonte në kohë, dukej se në praktikë kjo nuk kishte ndodhur.
6.Një garanci shtesë ofrohej nga Kontrollori i Pavarur i emëruar sipas Ligjit të vitit 2000. Por kompetencat e tij ishin të kufizuara në raportimin mbi funksionimin e përgjithshëm të dispozitave ligjore dhe ai nuk kishte të drejtë të anulonte ose ndryshonte autorizimet, edhe pse ai ishte shprehur vazhdimisht se priste që neni 44 të përdorej më pak. Diskrecioni i gjerë që i njihej secilit polic ishte edhe më shqetësues, pasi vendimi i një polici për të ndaluar dhe për të kontrolluar një individ bazohej ekskluzivisht në një "instikt" ose "intuitë profesionale". Provat statistikore tregonin se shkalla në të cilën policët vinin në zbatim kompetencat e tyre për të ndaluar dhe të kontrolluar persona në bazë të nenit 44 ishte tronditëse, dhe tregonin se ekzistonte një rrezik i qartë arbitrariteti në dhënien e një diskrecioni kaq të gjerë policëve individualisht.
7.Megjithëse kjo çështje nuk ka të bëjë me kërkues me origjinë etnike afrikane ose aziatike, rreziku i përdorimit diskriminues të kompetencave të tilla nga policia kundër personave të tillë ishte një mundësi reale dhe statistikat treguan se persona me origjinë të tillë ishin prekur në mënyrë disproporcionale nga ushtrimi i një diskrecioni të tillë. Përveç kësaj, Gjykata pranoi se ekziston rreziku që një kompetencë e përkufizuar kaq gjerë mund të keqpërdoret kundër demonstruesve dhe protestuesve në shkelje të neneve 10 dhe 11. Edhe pse kompetenca e shefit të policisë dhe e Sekretarit të Shtetit për të autorizuar dhe konfirmuar ishin objekt i shqyrtimit gjyqësor, akordimi i një diskrecioni të gjerë do të thoshte se çdo kërkues përballeshin me pengesa të jashtëzakonshme për të provuar se një autorizim dhe konfirmim ishin ultra vires ose abuzim kompetencash.
8.Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se kompetencat e autorizimit dhe të konfirmimit, si dhe ato për të ndaluar dhe të kontrolluar persona në bazë të neneve 44 dhe 45 të Ligjit të vitit 2000 nuk ishin as mjaft të qarta dhe të përkufizuar dhe as nuk i nënshtroheshin një mbrojtjeje adekuate ligjore kundër abuzimit. Ata nuk ishin pra në përputhje me ligjin, dhe kjo përbënte një shkelje të nenit 8.
B.Në lidhje me nenet 5, 10 dhe 11
9.Duke pasur parasysh konstatimin e mësipërm, Gjykata u shpreh se nuk ishte e nevojshme që të shqyrtonte pretendimet e kërkuesve edhe nën këndvështrimin e neneve 5, 10 dhe 11.
C.Në lidhje me nenin 41
10. Gjykata u shpreh se konstatimi i shkeljes përbën një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm në lidhje me çdo dëm jopasuror të pësuar nga kërkuesit. Ajo iu akordoi atyre 33 850 euro për kostot dhe shpenzimet.
Full & Egal Universal Law Academy