© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA GROSS kundër ZVICRËS
(Kërkesë nr. 67810/10)
VENDIM
STRASBURG
30 Shtator 2014
Ky vendim është përfundimtar, por ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen e Gross k. Zvicrës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Dhoma e Madhe me trup gjykues të përbërë prej:
Dean Spielmann, President,
Josep Casadevall,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Boštjan M. Zupančič,
Alvina Gyulumyan,
Khanlar Hajiyev,
Dragoljub Popović,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Ann Power-Forde,
Vincent A. De Gaetano,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Helen Keller,
Helena Jäderblom,
Johannes Silvis, gjyqtarë,
dhe Erik Fribergh, Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 5 mars 2014 dhe 27 gusht 2014,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në bazë të kërkesës (nr. 67810/10) kundër Konfederatës Zvicerane drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetase zvicerane, Znj. Alda Gross (“kërkuesja”), më 10 nëntor 2010.
2. Kërkuesja u përfaqësua nga Z. F.T. Petermann, jurist që ushtron aktivitetin në St Gallen, Zvicër. Qeveria Zvicerane (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj, Z. F. Schürmann, Kreu i Seksionit të të Drejtave të Njeriut dhe Këshilli të Evropës në Ministrinë Federale të Drejtësisë.
3. Duke u bazuar në nenin 8 të Konventës, kërkuesja pretendoi, në veçanti, që ishte shkelur e drejta e saj për të vendosur si dhe kur do t’i jepte jetës së saj.
4. Kërkesa iu caktua për gjykim Seksioni të dytë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 5 janar 2012, kërkesa iu komunikua Qeverisë. Gjithashtu në bazë të nenit 41 të Rregullores së Gjykatës u vendos t’i jepej përparësi në shqyrtim kërkesës. Më 14 maj 2013 një dhomë e përbërë nga presidenti Guido Raimondi, dhe gjyqtarët Danutė Jočienė, Peer Lorenzen, András Sajó, Işıl Karakaş, Nebojša Vučinić, Helen Keller si dhe kancelari i seksionit Stanley Naismith, pas shqyrtimit me dyer të mbyllura, mori vendim me një shumicë votash se ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës. Gjyqtarët Raimondi, Jočienė dhe Karakaş dolën në një mendim të përbashkët në pakicë i cili iu bashkëngjit vendimit.
5. Më 12 gusht 2013, Qeveria me anë të një letre kërkoi referimin e çështjes në Dhomë të Madhe, në përputhje me nenin 43 të Konventës dhe nenit 73 të Rregullores së Gjykatës. Dhoma e Madhe e pranoi këtë kërkesë më 7 tetor 2013.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
7. Kërkuesja dhe Qeveria paraqitën pretendimet me shkrim (neni 59 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 7 janar 2014 Qeveria informoi Gjykatën se kërkuesja kishte ndërruar jetë më 10 nëntor 2011. Avokati i kërkueses në përgjigje dorëzoi komentet e tij.
8. Komente lidhur me themelin e kërkesës u paraqitën gjithashtu nga: Aleanca për Mbrojtjen e Lirisë (e njohur më parë si Fondi i Aleancës për Mbrojtje), një shoqatë me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ("SHBA") e përkushtuar për të mbrojtur të drejtën të jetës në të gjithë botën, përfaqësuar nga Z. P. Coleman; Qendra Evropiane për Ligjin dhe Drejtësinë, një shoqatë me bazë në Francë, e specializuar në çështjet e bioetikës dhe mbrojtjes së lirisë fetare, përfaqësuar nga Z. G. Puppinck; Amerikanët e Bashkuar për Jetën, një shoqatë me bazë në SHBA e dedikuar ndaj mbrojtjes të së drejtës së jetës nga ngjizja deri në vdekjen natyrale, përfaqësuar nga Z. WL Saunders, dhe Dignitas, një shoqatë me bazë në Zvicër, objektivi i së cilës është të sigurojë që anëtarët e saj të marrin kujdesin shëndetësor për t’i dhënë fund jetës dhe të ndërrojnë jetë me dinjitet njerëzor, përfaqësuar nga Z. L.A. Minelli. Të gjitha palët e treta ndërhyrëse u autorizuan nga Presidenti i Dhomës për të ndërhyrë në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 të Konventës dhe neni 44 § 2 i Rregullores së Gjykatës).
FAKTET
RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Kërkuesja ka lindur në 1931 dhe ka ndërruar jetë më 10 nëntor 2011.
10. Për shumë vite kërkuesja kishte shprehur dëshirën për t’i dhënë fund jetës së saj. Ajo shpjegoi se me kalimin e kohës po rëndohej gjithnjë e më shumë nga ana shëndetësore dhe nuk dëshironte më të vazhdonte të vuante këtë rënie të saj fizike dhe mendore. Ajo vendosi se dëshironte t’i jepte fund jetës së saj duke marrë një dozë vdekjeprurëse të sodium pentobarbital. Ajo kërkoi mbështetjen e një shoqate që merrej me asistimin e vetëvrasjeve - EXIT - e cila iu përgjigj se do ishte e vështirë për të gjetur një mjek i cili do të ishte i gatshëm t’i jepte një recetë mjekësore për drogën vdekjeprurëse.
11. Më 20 tetor 2008 një psikiatër, Dr. T., paraqiti një mendim eksperti në të cilin ai deklaronte se nuk kishte asnjë dyshim që kërkuesja ishte në gjendje për të formuar gjykimin e saj. Dr. T., duke e parë nga ana psikiatrike, ishte dakord që t’i jepej kërkueses një recetë për dozën vdekjeprurëse të sodium pentobarbital. Megjithatë, ai nuk pranoi që të ishte ai personi që të lëshonte një recetë të tillë me arsyetimin se ai nuk dëshironte të ngatërronte rolin e ekspertit mjekësor me atë të mjekut që e trajtonte kërkuesen.
12. Me anë të tre letrave të datës 5 nëntor 2008, 1 dhjetor 2008 dhe 4 maj 2009 përfaqësuesi i kërkueses u kërkoi tre praktikantë të tjerë mjekësore t’i jepnin një recetë për sodium pentobarbital, por të gjithë refuzuan.
13. Më 16 dhjetor 2008, kërkuesja iu drejtua Bordit të Shëndetësisë së Kantonit të Zyrihut për të kërkuar që t’i jepej 15 gram sodium pentobarbital, në mënyrë që të kryente vetëvrasje. Më 29 prill 2009, Bordi i Shëndetësisë hodhi poshtë kërkesën e saj.
14. Më 29 maj 2009, kërkuesja depozitoi një ankesë në Gjykatën Administrative të Kantonit të Zyrihut. Më 22 tetor 2009, Gjykata Administrative e hodhi poshtë ankesën. Gjykata Administrative vlerësoi se, në mënyrë të veçantë, kushti i marrjes së një dozë vdekjeprurëse të sodium pentobarbital vetëm me anë të recetës mjekësore, ishte në përputhje me nenin 8 të Konventës. Ky kusht i shërbente qëllimit të parandalimit të marrjes së vendimeve të parakohshme dhe gjithashtu garantonte se veprimi që kërkohej të kryhej ishte i justifikuar nga ana mjekësore. Ai gjithashtu garantonte se vendimi bazohej në një ushtrim të qëllimshëm të vullnetit të lirë të personit të interesuar. Gjykata Administrative vërejti se. Dr. T., në raportin e tij të ekspertizës, nuk kishte vlerësuar nëse kërkuesja vuante nga ndonjë sëmundje çka do të justifikonte supozimin se jeta e saj ishte drejt fundit. Dëshira e vet personit për të ndërruar jetë, edhe nëse është e menduar mirë nga ana e tij, nuk ishte e mjaftueshme për të justifikuar lëshimin e një recetë mjekësore. Kështu, përmbajtja e dosjes në rastin në fjalë nuk dëshmonte se parakushtet e nevojshme për lëshimin e një recete mjekësore ishin përmbushur. Rrjedhimisht, ishte i nevojshëm një shqyrtim i mëtejshëm mjekësor. Në këto rrethana, Gjykata Administrative nuk e konsideroi të mjaftueshme arsyet për të përjashtuar kërkuesen nga domosdoshmëria e një ekzaminimi të plotë mjekësor dhe të një recete mjekësore.
15. Më 12 prill 2010, Gjykata Supreme Federale hodhi poshtë apelimin e bërë nga kërkuesja. Kjo Gjykatë, ndër të tjera, vërejti se kërkuesja në mënyrë të pamohueshme nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara nga direktivat e etikës mjekësore për kujdesin ndaj pacientëve që gjenden në fund të jetës së tyre, të miratuar nga Akademia Zvicerane e Shkencave Mjekësore, duke qenë se ajo nuk vuante nga një sëmundje vdekjeprurëse, por kishte shprehur dëshirën për të ndërruar jetë për shkak të moshës së saj të madhe dhe dobësisë së saj shëndetësore që ishte në rritje. Edhe pse, Gjykata Supreme Federale kishte vendosur edhe më parë se dhënia e një recete mjekësore për sodium pentobarbital ndaj një personi që vuan nga një sëmundje psikike e pashërueshme, e vazhdueshme dhe e rëndë, nuk përbënte domosdoshmërisht shkelje të detyrave profesionale të një mjeku, ky përjashtim duhej zbatuar në mënyrë " maksimalisht të kufizuar" dhe nuk detyron mjekët apo Shtetin t’i siguronte kërkueses dozën e kërkuar të sodium pentobarbital për t’i dhënë fund të jetës së saj. Më tej, Gjykata Supreme Federale vuri në dukje se dhënia e substancës së kërkuar kërkonte një ekzaminim të plotë mjekësor dhe, për sa i përket dëshirës së vazhdueshme për të ndërruar jetë, një mbikëqyrje mjekësore afat-gjatë nga një mjek specialist i cili ishte i gatshëm të lëshonte recetën e nevojshme. Këto kushte nuk mund të anashkaloheshin me një kërkesë nga ana e kërkueses për përjashtim nga domosdoshmëria e marrjes së një recetë mjekësore.
16. Më 10 nëntor 2010 avokati i kërkueses iu drejtua Gjykatës.
17. Më 24 tetor 2011, kërkuesja morri një recetë mjekësore për 15 gram sodium pentobarbital nga Dr. U. Më 10 nëntor 2011 ajo i dha fund jetës së saj duke marrë substancën e përcaktuar. Sipas një raporti të policisë të datës 14 nëntor 2011, nuk mund të identifikoheshin të afërm të të ndjerës. Raporti arriti në përfundimin se kërkuesja kishte kryer vetëvrasje me ndihmën e EXIT dhe se asnjë person i tretë nuk ishte gjetur penalisht përgjegjës në lidhje me këtë.
18. Gjykata nuk ishte në dijeni për vdekjen e kërkueses deri më 7 janar 2014 (shih paragrafin 19 më poshtë).
E DREJTA
KUNDËRSHTIMET PARAPRAKE TË QEVERISË
A. Parashtrimet e Qeverisë në Dhomën e Madhe
19. Në parashtrimet përpara Gjykatës, të datës 7 janar 2014 Qeveria deklaroi se gjatë përgatitjes së tyre ata kishin bërë kujdes të hetonin në lidhje me situatën e kërkueses në komunën ku ajo jetonte jetuar dhe kishin mësuar se ajo kishte ndërruar jetë më 10 nëntor 2011. Kështu, në kohën kur Dhoma kishte miratuar vendimin e saj për këtë rast, ajo kishte përafërsisht një vit e gjysmë që kishte ndërruar jetë. Duke u bazuar në vendimin e Gjykatës në çështjen e Predescu k. Rumanisë, (nr. 21447/03, § 25, 2 dhjetor 2008), ata i kërkuan Gjykatës ta deklaronte të papranueshme kërkesën mbi bazën e abuzimit me të drejtën për kërkesë individuale, në përputhje me nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.
20. Qeveria parashtroi se avokati jo vetëm që nuk kishte informuar Gjykatën për faktin së kërkuesja nuk jetonte më - që ai duhet ta kishte bërë më së voni kur Kancelari i Gjykatës i kishte bërë paraqitjen e fakteve, ku supozohej se kërkuesja ishte gjallë - por edhe e kishte mashtruar Gjykatën në parashtrimet tij duke krijuar përshtypjen se kërkuesja ishte ende gjallë.
21. Sipas mendimit të Qeverisë, sjellja e avokatit të kërkueses, e cila nuk jetonte më, kishte qenë e tillë që t’i fshihte Gjykatës një aspekt thelbësor për shqyrtimin e kërkesës.
B. Avokati në lidhje me parashtrimet e kërkueses në Dhomën e Madhe
22. Avokati u përgjigj se ai nuk kishte pasur kontakte personale me klienten e tij që nga janari 2010 dhe kishte mësuar se ajo nuk jetonte më vetëm më 9 janar 2014, kur kishte marrë një kopje të parashtrimeve të Qeverisë së 7 janarit 2014.
23. Avokati i kërkueses shpjegoi se ajo kishte shprehur dëshirën e saj që ai të mbante korrespondencë të mëtejshme me Z. F., një pastor në pension i cili gjithashtu kishte punuar vullnetarisht për shoqatën EXIT. Arsyeja për këtë kërkesë të saj ishte, inter alia, se shkëmbimi e letrave direkt me avokatin i kishte shkaktuar stres dhe prandaj ajo kishte nevojë për ndihmën e një personi të besuar. Kështu, që pas apelit të saj në Gjykatën Supreme Federale në janar të vitit 2010, ata kishin rënë dakord që zoti F. do t’ia përcillte dhe do ta shpjegonte personalisht korrespondencën kërkueses. Avokati deklaroi se ai i ishte përmbajtur kësaj marrëveshje.
24. Menjëherë pasi ishte njohur me parashtrimet e Qeverisë më 9 janar 2014, avokati kishte kontaktuar Z. F., i cili i kishte shpjeguar atij se nuk e kishte vënë në dijeni të vdekjes së kërkueses pasi vet ajo i kishte kërkuar atij shprehimisht të mos e njoftonte nga frika se mos ndërpriteshin procedimet. Në verën e vitit 2011, kur ishte bërë e qartë se kërkuesja do t’i jepte fund jetës së saj, ajo kishte informuar Z. F., se avokati i kishte thënë që nëse ajo ndërronte jetë gjatë procedurës çështja do të mbyllej dhe se ajo nuk donte të ndodhte diçka e tillë pasi dëshira e saj ishte " të hapte rrugën për njerëz të tjerë në një situatë të ngjashme me të sajën". Z. F. kishte deklaruar se detyra profesionale e një këshilltari shpirtëror është të mos zbulojë rrëfimet e kërkueses kundër dëshirës së shprehur të saj. Më tej, avokati i kërkueses deklaroi se i kishte ardhur jashtëzakonisht keq për faktin që zoti F. nuk e kishte informuar atë menjëherë për vdekjen e kërkueses, pasi ai do të kishte njoftuar siç duhej Gjykatën dhe do të kishte bërë kërkesë për vazhdimin gjithsesi të procesit.
25. Duke u bazuar në jurisprudencën e Gjykatës në rastet kur kërkuesi kishte ndërruar jetë ose kishte shprehur dëshirën për të tërhequr kërkesën gjatë procedurës para Komisionit apo Gjykatës (avokati iu referua vendimeve të Gjykatës në rastet e Scherer k. Zvicrës, 25 mars 1994, Seria A nr. 287 dhe Tyrer k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 21, Seria A nr. 26), ai argumentoi se pas paraqitjes së një kërkese tek institucionet e Konventës, këto të fundit vendosnin në lidhje me procedurën. Kështu, ishte Gjykata ajo që vendoste nëse procedimet në një rast të caktuar duhet të vazhdonin. Faktor vendimtar në këtë drejtim ishte nëse, sipas mendimit të Gjykatës, rasti ngrinte çështje të përgjithshme të interesit publik që kërkonin shqyrtim të mëtejshëm.
26. Në rastin konkret, avokati i kërkueses ftoi Gjykatën të vazhdonte procedurën me arsyetimin se rasti ngrinte pyetje thelbësore në lidhje me pajtueshmërinë me Konventën, që e bënin të nevojshëm shqyrtimin e mëtejshëm në interes të publikut. "Eutanazia" ishte një çështje e diskutueshme dhe e shumë debatuar në mjaft vende evropiane. Rastet e kësaj natyre ishin sjellë përgjithësisht nga persona të cilët ishin të moshuar dhe/ose të sëmurë. Nëse procedurat do të braktiseshin sistematikisht kur këta persona ndërronin jetë, pyetjet e ngritura nga raste të tilla nuk do të merrnin kurrë përgjigje nga Gjykata.
C. Vlerësimi i Gjykatës
27. Neni 35 § 3 (a) i Konventës parashikon:
“Gjykata deklaron çdo kërkesë individuale të bërë në bazë të nenit 34 të papranueshme, kur mendon se:
(a) kërkesa është e papajtueshme me dispozitat e Konventës ose protokollet e saj, haptazi e paarsyetuar ose abuzim i së drejtës për kërkesë individuale;...”
28. Gjykata rithekson se, sipas kësaj dispozite kërkesa mund të refuzohet si abuzim i së drejtës për kërkesë individuale nëse, midis arsyeve të tjera, ajo ishte e bazuar me dashje në fakte të pavërteta (shiko Akdivar dhe të Tjerë k. Turqisë [GC], 16 shtator 1996, §§ 53-54, Përmbledhje të Vendimeve 1996-IV; Varbanov k. Bullgarisë, nr. 31365/96, § 36, ECHR 2000-X; Rehak k. Republikës Çeke (vendim[1]), nr. 67208/01, 18 maj 2004; Popov k. Moldavisë (nr.1), nr. 74153/01, § 48 18 janar 2005; Kérétchachvili k. Gjeorgjisë (vendim[2]), nr. 5667/02 2 maj 2006; Miroļubovs dhe të Tjerë k. Letonisë , nr. 798/05, § 63, 15 shtator 2009; dhe Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano k. Italisë [GC], nr. 38433/09, § 97, ECHR 2012). Paraqitja e informacionit jo të plotë dhe në këtë mënyrë të gabuar mund të përbëjë abuzim të së drejtës për kërkesë individuale, sidomos nëse informacioni ka të bëjë me thelbin e çështjes dhe nuk janë dhënë shpjegime të mjaftueshme për mos parashtrimin e këtej informacioni (shih Hüttner k. Gjermanisë, nr. 23130/04 9 qershor 2006 (vendim[3]); Predescu k. Rumanisë, nr. 21447/03, §§ 25-26, 2 dhjetor 2008 dhe Kowal k. Polonisë (vendim[4]), nr. 2912/11, 18 shtator 2012). E njëjta gjë vlen edhe nëse kanë ndodhur zhvillime të reja të rëndësishme gjatë kohës që zhvillohet procesi para Gjykatës dhe kërkuesi, pavarësisht se kërkohet shprehimisht nga neni 47 § 7 (ish neni 47 § 6) i Rregullores së Gjykatës, nuk ka njoftuar Gjykatën për këto zhvillime, duke mos e lejuar Gjykatën të vendos mbi çështjen duke pasur dijeni të plotë të fakteve (shih Centro Europa 7 Srl dhe Di Stefano, ibid., dhe Miroļubovs dhe të Tjerë, ibid.). Megjithatë, edhe në raste të tilla, qëllimi i kërkuesit për t’ia shmangur këto informacione Gjykatës duhet gjithmonë të përcaktohen me siguri të mjaftueshme (shih Al-Nashif k. Bullgarisë, nr. 50963/99, § 9, 20 qershor 2002; Melnik k. Ukrainës, nr. 72286/01, §§ 58-60, 28 mars 2006; Nold k. Gjermanisë, nr. 27250/02, § 87, 29 qershor 2006; dhe Centro Europa 7 Srl dhe Di Stefano, ibid).
29. Duke iu kthye rrethanave të çështjes në fjalë, Gjykata vëren që në fillim se, në kërkesën e depozituar në Gjykatë më 10 nëntor 2010, kërkuesja u ankua, duke u mbështetur në nenin 8 të Konventës, se autoritetet zvicerane, e privonin atë nga mundësia për të marrë një dozë vdekjeprurëse të sodium pentobarbital, duke shkelur kështu të drejtën e saj për të vendosur se me çfarë dhe në çfarë pike ti jepte fund jetës së saj. Ajo më tej vëren se, më 5 janar 2012 kërkesa e saj iu komunikua Qeverisë së paditur dhe se më 14 maj 2013 Dhoma vendosi (me katër vota pro dhe tre kundër) se kishte pasur shkelje të nenit 8 të Konventës, një vendim i cili ishte bazuar në supozimin se kërkuesja ishte ende gjallë (shih paragrafët 65-67 të vendimit[5] të Dhomës).
30. Megjithatë, më vonë u zbulua se ndërkohë, më 24 tetor 2011, kërkuesja kishte marrë një arritur të siguronte recetën mjekësore për dozën vdekjeprurëse të sodium pentobarbital dhe se më 10 nëntor 2011 ajo i kishte dhënë fund jetës së saj pikërisht nga marrja e kësaj doze.
31. Ky zhvillim nuk u soll në vëmendjen e Gjykatës nga kërkuesja apo avokati i saj, por nga Qeveria, në parashtrimet e datës 7 janar 2014 pasi çështja i ishte referuar Dhomës së Madhe, në përputhje me nenin 43 të Konventës. Gjatë përgatitjes së parashtrimeve të tyre, Qeveria kishte hetuar mbi situatën e kërkueses dhe kishte mësuar për faktin e vdekjes së saj dhe rrethanat në të cilat kishte ndodhur.
32. Gjykata ka marrë shënim shpjegimit e dhënë nga avokati i kërkueses se ai nuk kishte qenë në dijeni të faktit se klientja e tij kishte ndërruar jetë pasi ai kishte kontaktuar me të nëpërmjet një ndërmjetësi, Z. F., i cili, me kërkesën e saj, nuk e kishte vënë qëllimisht në dijeni të këtij fakti. Sipas Z. F., kërkuesja kishte pasur frikë se zbulimi i një fakti të tillë mund të çonte Gjykatën në ndërprerjen e procedurës. Si këshilltar i saj shpirtëror ai kishte detyrimin profesional të konfidencialitetit dhe kështu nuk mund të fliste kundër dëshirës së saj.
33. Megjithatë, sipas mendimit të Gjykatës dhe duke pasur parasysh natyrën e veçantë të çështjes në fjalë, fakti që avokati i kërkueses nuk kishte pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të, por kishin rënë dakord për të komunikuar nëpërmjet një ndërmjetësi ngre në sërë shqetësimesh në lidhje me rolin e tij si përfaqësues ligjor në procedurën para Gjykatës. Përveç detyrimit që ka kërkuesi për të bashkëpunuar me Gjykatën (shih nenin 44A të Rregullores së Gjykatës; shih gjithashtu nenin 44C mbi "Mos pjesëmarrjen në mënyrë efektive", duke përfshirë edhe mundësinë për të nxjerrë konkluzione në rastin kur një palë "nuk paraqet informacione me vlerë me iniciativën e saj") dhe për ta mbajtur të informuar Gjykatën në lidhje me çdo rrethanë që ka rëndësi për kërkesën e tyre para saj (shih nenin 47 § 7, ish nenin 47 § 6 të Rregullores së Gjykatës), një përfaqësues mbart përgjegjësi të veçantë nëse parashtresat e tij janë keq orientuese (shih nenin 44D të Rregullores së Gjykatës).
34. Nga shpjegimi i avokatit del se kërkuesja jo vetëm që nuk e kishte informuar atë, për pasojë edhe Gjykatën, për faktin se ajo e kishte marrë recetën e nevojshme mjekësore, por edhe kishte marrë masa të veçanta për të parandaluar që ky informacion t’i vihej në dijeni avokatit dhe Gjykatës në mënyrë që të ndalonte këtë të fundit të ndërpriste procesin.
35. Përkundër këtij sfondi, Dhoma e Madhe vlerëson se fakti dhe rrethanat e vdekjes së kërkueses kanë të bëjnë me thelbin e çështjes të kërkesës së saj sipas Konventës. Gjithashtu, është e kuptueshme që nëse këto fakte do t’i ishin vënë në dispozicion Dhomës, mund të kishin pasur një ndikim vendimtar në vendimin e saj të 14 majit 2013 se kishte pasur shkelje të nenit 8 të Konventës (shih, mutatis mutandis, neni 80 i Rregullores së Gjykatës; Pardo k. Francës (rishikim - pranueshmëria), 10 korrik 1996, §§ 21-22, Përmbledhjet 1996-III; Pardo k. Francës (rishikim - themeli), 29 prill 1997, § 23, Përmbledhjet 1997-III; dhe Gustafsson k. Suedisë (rishikim - themeli), 30 korrik 1998, § 27, Përmbledhjet 1998-V). Megjithatë, nuk ka nevojë që Dhoma e Madhe të flasë lidhur me këtë pasi, në çdo rast, në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, vendimi i Dhomës i 14 majit 2013 nuk ka marrë formë të prerë.
36. Sipas Z. F., motivi se përse kërkuesja i fshehu informatat përkatëse ishte se, pavarësisht faktit se situata e saj personale kishte marrë zgjidhje, procedimet do t’i shërbenin personave të tjerë të cilët ishin në një situatë të ngjashme me të sajën. Pavarësisht se një motiv i tillë ishte i kuptueshëm nga perspektiva e kërkueses në situatën e jashtëzakonshme në të cilën ajo e kishte gjendur veten, Gjykata vlerëson se nga faktet e rastit dëshmohet në mënyrë të mjaftueshme se kërkuesja duke ia fshehur qëllimisht këtë informacion avokatit të saj kishte pasur për qëllim të keq orientonte Gjykatën në lidhje me një fakt që përbënte vetë thelbin e kërkesës së saj në bazë të Konventës.
37. Për sa më sipër, Gjykata mbështet kundërshtimin paraprak të Qeverisë se sjellja e kërkueses përbën një abuzim të së drejtës për kërkesë individuale sipas kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
Vendos, me nëntë vota pro dhe tetë kundër, se për shkak të abuzimit të kërkueses me të drejtën e kërkesës, brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës, kërkesa është e papranueshme.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe franceze dhe njoftuar me shkrim më 30 shtator 2014 sipas nenit 77 § § 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Erik FriberghDean Spielmann
KancelarPresident
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e pakicës në vazhdim i bashkëngjiten këtij vendimi:
(a) mendimi paralel i gjyqtarit Silvis;
(b) mendimi i përbashkët i pakicës i gjyqtarëve Spielmann, Ziemele, Berro‑Lefèvre, Zupančič, Hajiyev, Tsotsoria, Sicilianos dhe Keller.
D.S.
E.F.
Mendimet e pakicës nuk janë të përkthyera, por gjendjen në gjuhën angleze dhe/ose franceze në versionet në gjuhën zyrtare të vendimeve, të cilat gjenden në bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës, HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo fitimprurëse me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime fitimprurëse, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@
[1] për pranueshmërinë
[2] për pranueshmërinë
[3] për pranueshmërinë
[4] për pranueshmërinë
[5] për pranueshmërinë dhe themelin
Full & Egal Universal Law Academy