GIULIANI DHE GAGGIO kundër ITALISË
(kërkesa nr. 23458/02)
24 mars 2011
Dhomë e Madhe
ky vendim ka të bëjë me vdekjen e një protestuesi gjatë protestave kundër G8 në Xhenova në korrik 2001 dhe me përgjegjësinë që mund t’iu lindë autoriteteve në lejimin, organizimin dhe reagimin ndaj protestave të tilla, sidomos kur këto bëhen të dhunshme
Faktet kryesore
1. Faktet e kësaj çështje lidhen me përleshjet e dhunshme që ndodhën ndërmjet policisë dhe grupeve të demonstruesve gjatë Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive në kuadrin e Samitit të G8, të mbajtur në Xhenova 19 deri më 21 korrik të vitit 2001. Çështja e ka zanafillën në kërkesën e depozituar kundër Italisë nga tre shtetas italianë, Z. G. Giuliani, Znj. A. Gaggio dhe Znj. E. Gaggio Giuliani. Kërkuesit janë përkatësisht babai, nëna dhe motra e Carlo Giuliani, një të riu që u vra me armë zjarri gjatë këtyre demonstratave.
2. Në mëngjesin e 20 korrikut 2001 disa grupe demonstruesish tepër agresivë, të maskuar me kapuça dhe me maska të zeza (i ashtuquajturi Blloku i Zi), provokuan incidente të shumta dhe u përleshën me forcat e sigurisë. Në mënyrë të veçantë, rreth orës 17, në afërsi të Piazza Alimonda, një grup protestuesish detyruan një skuadër karabinierësh të tërhiqen duke lënë të izoluar dy xhipa të cilët kishin ardhur për të rivendosur rendin. Njëri nga xhipat mbeti i bllokuar dhe disa protestues filluan ta qëllonin me leva, me gurë dhe me objekte të tjera të rënda. Brenda këtij xhipi ishin tre karabinierë, F.C., D.R. dhe M.P. Ky i fundit, i plagosur, ishte i përkulur në anën e pasme të mjetit dhe mbrohej me një mburojë kundër sulmeve dhe, duke ju thirrur protestuesve që të largoheshin sepse përndryshe "do t’i vriste", nxori një pistoletë Beretta 9 mm, e drejtoi armën në drejtim të një prej dritareve të prapme të thyera të xhipit, dhe mbas rreth dhjetë sekondash, qëlloi dy herë.
3. Njëra prej të shtënave qëlloi në fytyrë, nën syrin e tij të majtë, një prej demonstruesve, Carlo Giulianin, i cili ishte i maskuar me një kapuç dhe sapo kishte marrë dhe ngritur një bombol gazi bosh zjarri. Pas pak çastesh F.C. rindezi motorrin dhe xhipi, në përpjekje për t’u larguar, shkeli dy herë mbi trupin Carlo Giuliani. Pak metra më tutje, marshalli A. hypi në xhip dhe mori drejtimin e mjetit pasi F.C., sipas raporteve, ishte në gjendje shoku. Në xhip hypi edhe karabinieri R. Nga ana tjetër e sheshit forcat e policisë përpiqeshin të shpërndanin protestuesit. Në orën 17:27 u thirr një ambulancë dhe një mjek që mbërriti aty pak më vonë deklaroi vdekjen e Carlo Giuliani.
4. Në lidhje me këtë ngjarje u hap një dosje hetimore, dhe ndaj karabinierëve M.P. dhe F.C., filloi procedimi penal si të dyshuar për vrasje. Të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje u morën në pyetje, u krye autopsia në trupin e Carlo Giuliani, dhe u kryen testet mjekësore dhe balistike si dhe u shqyrtuan të gjitha materialet audiovizuale në ishin në dispozicion.
5. Në gusht të vitit 2001 u hap edhe një hetim parlamentar, i cili u mbyll me një raport që përmbante përfundime përgjithësisht pozitive në lidhje me organizimin e Samitit G8, pavarësisht nga konstatimi i mangësive të caktuara në koordinimin e operacioneve. Komisioni i ngarkuar me hetimin arriti gjithashtu në përfundimin se ishte e nevojshme të individualizoheshin dhe të ndëshkoheshin autorët e veprave penale dhe disiplinore.
6. Më 5 maj 2003, gjyqtari i hetimeve paraprake (tani e tutje G.I.P.)[1] të Xhenovës pranoi pushimin e procedurës penale në ngarkim të M.P. dhe F.C., duke iu referuar vrasjes në kufijtë e vetëmbrojtjes së ligjshme dhe "përdorimit legjitim të armëve gjatë manifestimeve" në lidhje me të parin, dhe duke përjashtuar çdo përgjegjësi penale për vdekjen e Carlo Giuliani, në lidhje me të dytin, pasi ishte e qartë që ky kishte vdekur nga të shtënat me armë zjarri dhe kalimi me xhip mbi trup kishin shkaktuar vetëm shembje dhe djegie. Apeli i kërkuesve kundër pushimit të çështjes penale nuk u pranua.
7. Kërkuesit iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut, duke pretenduar shkelje nga autoritetet italiane të neneve 2, 3, 6, 13 dhe 38 të Konventës.
II.Vendimi i Gjykatës
8. Një Dhomë e Seksionit IV, me 25 gusht 2009, vendosi në këtë rast, nuk ka pasur shkelje të nenit 2 në lidhje me përdorimin e tepruar të forcës dhe detyrimin pozitiv të Shtetit për të mbrojtur jetën. Por Dhoma gjeti shkelje të kësaj dispozite nga autoritetet italiane në lidhje me detyrimet procedurale. Dhoma gjeti gjithashtu se nuk ka pasur një shkelje të nenit. 38 dhe nuk e gjeti të nevojshme të shqyrtuar kërkesën në bazë të neneve 3, 6 dhe 13. Të dy palët, edhe kërkuesit edhe Qeveria e apeluan vendimin në Dhomë të Madhe, apel që u pranua nga Paneli i Dhomës së Madhe në bazë të nenit 43 të Konventës.
A. Në lidhje me nenin 2
i. Në lidhje me përdorimin e forcës nga karabinieri M.P.
9. Kërkuesit pretendonin, së pari se, përdorimi i forcës, në rastin konkret nuk ishte “absolutisht i nevojshëm” për arritjen e objektivave të përcaktuar nga paragrafi 2 i Konventës. Gjykata, pasi shqyrtoi të gjitha fotot dhe videot në lidhje me ngjarjen, konstatoi se karabinieri M.P., duke u gjendur në prani të një grupi protestuesish veçanërisht të dhunshëm, reagoi duke qëlluar dy herë vetëm për të mbrojtur jetën dhe të integritetin e fizik të tij dhe të kolegëve të tij. Për më tepër, Gjykata, në bazë të provave në dispozicion të saj, përcaktoi se karabinieri qëlloi me pistoletë vetëm pasi kishte paralajmëruar protestuesit dhe pasi kishte parë që sulmi po vazhdonte vazhduar. Sipas Gjykatës ky është një qëndrim mëse legjitim, sidomos duke pasur parasysh se Carlo Giuliani, pavarësisht nga paralajmërimi, ngriti nga toka nën një bombol gazi.
10. Gjykata vuri re se trajektorja e plumbit që vrau Carlo Giuliani nuk është përcaktuar me saktësi. Sipas teorisë të mbështetur nga ekspertët të cilët kryen hetimet, pranuar nga GIP. i Xhenovës, por që kundërshtohej nga kërkuesit, plumbi u qëllua në drejtimin lart dhe fatkeqsisht kishte ndryshuar drejtim pas përplasjes me një nga gurët e hedhur nga protestuesit.
11. Gjithsesi, Gjykata thekson rëndësinë e kufizuar të këtij elementi, përderisa u provua se M. P. kishte qëlluar për të vetmin qëllim të mbrojtjes së jetës së tij dhe të kolegëve të tij që ndodheshin në xhip. Karabinierët brenda xhipit, në fakt gjendeshin në një situatë rreziku shumë të afërt dhe përdorimi i Beretës së tij, në atë moment, ishte e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten. Fakti që për fat të keq e shtëna plagosi për vdekje një person nuk do të thotë se veprimi mbrojtës ishte i tepruar ose joproporcional. Për këtë arsye, Gjykata arrin në përfundimin se përdorimi i forcës vdekjeprurëse ishte absolutisht i nevojshëm "për të garantuar mbrojtjen e çdo personi nga dhuna e paligjshme". Në këto rrethana dhe për këto arsye, Gjykata vlerësoi se nuk ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës nga ky këndvështrim. Gjykata vlerësoi në vijim se ishte e panevojshme të përcaktohej nëse përdorimi i forcës ishte i nevojshëm për të "shtypur, në përputhje me ligjin, një trazirë ose një kryengritje", në kuptimin e dispozitës së nenit 2.
ii. në lidhje me ekzistencën e një kuadri të përshtatshëm legjislativ dhe rregullator
12. Kërkuesit u ankuan gjithashtu se nuk kishte pasur një kuadër legjislativ, administrativ dhe rregullator të përshtatshëm për të mbrojtur jetën e demonstruesve. Gjykata vë re se GIP, kur vendosi të pushonte çështjen, i është referuar shprehimisht, si bazë ligjore për përdorimin e forcës nga M.P., neneve 52 dhe 53 të Kodit Penal Italian, të titulluara respektivisht "mbrojtje legjitime" dhe "përdorimi i ligjshëm i armëve". Gjykata thekson se, edhe pse formulimi i këtyre nuk është identik me atë të tekstit të nenit 2 të Konventës, ato pa dyshim i referohen parimeve bazë të kësaj dispozite, duke pasur parasysh këtu edhe interpretimin që iu kanë bërë gjykatat kombëtare. Për këtë arsye Gjykata arrin në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës edhe nga kjo pikëpamje.
13. Kërkuesit pretendojnë gjithashtu se forcat e rendit nuk duhet të ishin pajisur me armë të vinin në rrezik jetën e njeriut. Në këtë drejtim, Gjykata kujton se vdekja e Carlo Giuliani ka ndodhur në kuadër të një sulmi të dhunshëm kundër karabinierëve dhe jo gjatë një operacioni të kontrollit dhe shpërndarjes së demonstruesve. Konventa, siç është interpretuar nga Gjykata, nuk përmban asnjë rregull i cili ndalon forcat e rendit që të përdorin armët e zjarrit për të përballuar situata të ngjashme. Përsa i përket pastaj argumentit të kërkuesve se policia kishte përdorur shkopinj gome, përdorimi i të cilave nuk parashikohej nga aktet në fuqi, Gjykata arriti në përfundimin se nuk dukej të kishte ndonjë lidhje mes këtij pretendimi dhe vdekjes së Carlo Giuliani. Për këto arsye Gjykata nuk gjeti shkelje të nenit 2 nga shteti italian, as në këtë këndvështrim.
iii. Në lidhje me pretendimin për mangësi në organizimin e operacioneve nga forcat e rendit
14. Kërkuesit pretenduan se ka pasur mangësi të thella në organizimin e operacioneve të kryera nga forcat e rendit dhe gabime të rënda veçanërisht në lidhje me kriteret e përzgjedhjes të forcave policore të pranishme gjatë ngjarjeve të G8, të reflektuar edhe në gjendjen psikologjike dhe fizike të karabinierit të ri M.P. si dhe në mungesën e përvojës së tij. Ata ngritën gjithashtu pretendimin se Carlo Giuliani, pas të shtënave, nuk ka marrë asnjë ndihmë.
15. Dhoma e Madhe vërejti së pari se, incidenti në fjalë kishte ndodhur në një kontekst më të gjerë ngjarjesh relativisht më të qeta, dhe nuk ishte e parashikueshme që një sulm i tillë i dhunshëm të ndodhte në atë vend dhe në ato rrethana. Gjykata vuri re se shumë prej forcave të rendit në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe M.P., kishin marrë trajnim të specializuar dhe nënvizon se, duke pasur parasysh numrin e madh të forcave të rendit të përfshira në operacion, të pranosh që duhet të ishin përdorur vetëm forca të specializuara për këto lloj situatash do të thotë që t’i vendosësh Shtetit një detyrim joproporcional dhe jorealist. Ky pretendim, sipas Gjykatës, mund të pranohet në rastet kur forcat e rendit përballen me një objektiv të caktuar, por jo në hipotezën kur këto forca përdoren për ruajtjen e rendit. Gjithashtu, Gjykata konstaton se gjendja psikologjike dhe fizike e M.P. nuk ishte i tillë sa që atij t’i kërkohej të dorëzonte armën e tij, si i vetmi mjet për mbrojtjen e sigurisë të tij fizike. Së fundi, asnjë element që iu vu në dispozicion Gjykatës nuk ishte në gjendje të provonte se Carlo Giuliani nuk kishte marrë ndihmën e duhur pas të shtënave ose që F.C. kishte kaluar me qëllim me xhip mbi trupin e tij. Dëmtimet që ai kishte pësuar në tru ishin aq serioze sa i kanë shkaktuar vdekjen brenda pak minutash. Për këto arsye, Gjykata arriti në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës përsa i përket organizimit të operacioneve të ruajtjes së rendit, në Piazza Alimonda në Xhenova gjatë G8.
iv. Në lidhje me detyrimet procedurale sipas nenit 2
16. Kërkuesit pretenduan së fundmi se shteti italian nuk ka përmbushur, në disa aspekte, detyrimet procedurale sipas nenit 2. Gjykata konstatoi se procesi hetimor ka qenë aq efektiv dhe i një natyre sa të mund të përcaktonte nëse përdorimi i forcës vdekjeprurëse ishte i justifikuar në këtë rast dhe në qoftë se organizimi i forcave të rendit ishte në përputhje me detyrimin për të mbrojtur jetën e personave të pranishëm. Gjykata çmon se, edhe pse kërkuesit nuk kanë qenë në gjendje të dalin si palë civile në procesin penal[2], legjislacioni italian u ka mundësuar atyre t’i mbronin interesat e tyre legjitime, për shembull me angazhimin e ekspertëve të cilët mundën të marrin pjesë në fazën hetimore dhe në disa teste balistike. Ata kishin gjithashtu mundësinë për të kundërshtuar vendimin e pushimit të hetimit, sipas nenit 410 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas Gjykatës fakti që kundërshtimi nuk ishte pranuar nuk përbën në vetvete shkelje të nenit 2, sidomos duke pasur parasysh që vendimi i GIP nuk duket të ketë qenë, sipas mendimit të Gjykatës, arbitrar.
17. Ajo shtoi se kërkuesit nuk kanë paraqitur prova të mjaftueshme në lidhje me pretendimin se se autopsia ka pasur mangësi dhe e konsiderojnë si të parëndësishme për vlerësimin e efektivitetit të hetimit, problemin e ciflës së plumbit që u gjet në kafkën e Carlo Giuliani. Për më tepër, përfundimi i autoriteteve italiane sipas të cilit shkaku i vdekjes ishte e shtëna nga M.P., nuk ishte kundërshtuar. Në lidhje me djegien e trupit të Carlo Giuliani, Gjykata vëren se ai ishte i autorizuar me kërkesë të vetë kërkuesve.
18. Së dyti, në lidhje me pavarësinë e hetimit, Gjykata vlerësoi se caktimi nga prokuroria i një eksperti nuk ishte i tillë në vetvete që të cenonte pavarësinë e hetimit, pasur parasysh detyrat që ai kreu, rolin e tij dhe faktin që ishte vetëm një ndër katër ekspertët e caktuar.
19. Së fundi, Gjykata konsideroi se pavarësia e personave të përfshirë në hetime ishte përtej çdo dyshimi dhe se gatishmëria e tyre për të hetuar ishte më se e qartë në sytë e saj, duke pasur parasysh që hetimi paraprak ka zgjatur një vit e katër muaj. Gjykata nga ana e saj nuk ishte e mendimit se autoritetet hetimore i kanë pranuar pa rezerva argumentet e karabinierëve të përfshirë në këtë ngjarje. Në këtë drejtim ajo konstatoi se ishin marrë në pyetje dëshmitarë të shumtë dhe ishin bërë një sërë analizash mjekësore dhe testesh balistike. Për këto arsye ajo arrin në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës as në aspektin procedural.
Në lidhje me nenin 3
20. Gjykata e konsideron të panevojshme për të shqyrtuar veprimin në lidhje me nenin. 3.
C. Në lidhje me nenet 6 dhe 13
21. Kërkuesit pretenduan se nuk kishte pasur në këtë rast hetime që respektonin kriteret e parashikuara nga nenet 6 dhe 13 të Konventës. Në lidhje me këto pretendime, Gjykata e vlerëson të përshtatshme ta shqyrtojë çështjen vetëm nën nenin 13. Ajo arrin në përfundimin se, edhe pse kërkuesit nuk kishin qenë në gjendje që të dilnin si palë civile në procesin penal, ata kishin pasur mundësi të bënin padi civile me objekt shpërblimin e dëmeve që rridhnin nga vdekja e Carlo Giuliani. Ata kishin pasur pra në dispozicion, sipas Gjykatës, një zgjidhje efektive që iu krijonte mundësi të mbronin të drejtat e tyre. Për këtë arsye Gjykata arrin në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës.
D. Në lidhje me nenin 38
22. Kërkuesit pretenduan se autoritetet shtetërore nuk kanë bashkëpunuar si dhe sa duhej, përderisa u kanë dhënë kërkuesve informacione të rremë ose jo të plota, në kundërshtim me nenin 38. Gjykata vendosi se, megjithëse informacioni i dhënë nga Qeveria italiane ka pasur mangësi në disa pika, kjo nuk e pengoi Gjykatën për ta shqyrtuar çështjen. Prandaj ajo vendosi se nuk ka pasur një shkelje të Konventës në këtë këndvështrim.
[1]GIP – Giudice per le Indagini Preliminari.
[2]Bëhet fjalë për pamundësinë e kërkuesve që të dilnin si palë civile që gjatë seancave paraprake, në përputhje me nenin 79 të Kodit të Procedurës Penale i cili e parashikon një mundësi të tillë. Megjithatë në këtë rast nuk ka pasur asnjë seancë paraprake.
Full & Egal Universal Law Academy