© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA GIULIANI DHE GAGGIO KUNDËR ITALISË
(Kërkesa nr. 23458/02)
VENDIM
STRASBURG
24 Mars 2011
Ky vendim është përfundimtar, por ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen Giuliani dhe Gaggio kundër Italisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Dhoma e Madhe me trup gjykues të përbërë prej:
Jean-Paul Costa, President,
Christos Rozakis,
Françoise Tulkens,
Ireneu Cabral Barreto,
Boštjan M. Zupančič,
Nina Vajić,
Elisabeth Steiner,
Alvina Gyulumyan,
Renate Jaeger,
David Thór Björgvinsson,
Ineta Ziemele,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Zdravka Kalaydjieva,
Işıl Karakaş,
Guido Raimondi, gjyqtarë,
dhe Vincent Berger, Juriskonsult,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 29 shtator 2010 dhe 16 shkurt 2011,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në bazë të kërkesës (nr. 23458/02) kundër Republikës së Italisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga tre shtetas italianë, Z, Giuliano Giuliani, Znj Adelaide Gaggio (mbiemri i martesës Giuliani) dhe Znj Elena Giuliani (“kërkuesit”), më 18 qershor 2002.
2. Kërkuesit u përfaqësuan nga Z. N. Paoletti dhe Z. G. Pisapia, juristë që ushtrojnë aktivitetin në Romë. Qeveria Italiane (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjentja i saj, Znj. E. Spatafora, dhe bashkë-agjenti, Z. N. Lettieri.
3. Kërkuesit pretendonin se vdekja e djalit dhe vëllait të tyre, Carlo Giuliani, ishte shkaktuar nga përdorimi i tepruar i forcës. Ata pretenduan më tej se Shteti i paditur nuk kishte marrë masat e nevojshme legjislative, administrative dhe rregullatore për të zvogëluar sa më shumë të ishte e mundur pasojat negative të përdorimit të forcës, se organizimi dhe planifikimi i operacioneve policore nuk kishte qenë në përputhje me detyrimin për të mbrojtur jetën dhe se hetimi për rrethanat e vdekjes së të afërmit të tyre nuk kishin qenë efektive.
4. Kërkesa iu dha për gjykim Seksionit të katërt të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 6 shkurt 2007, pas një seance mbi pranueshmërinë dhe themelin (Rregulli 54 § 3), një Dhomë e atij Seksioni e përbërë nga gjyqtarët: Sir Nicolas Bratza, Josep Casadevall, Giovanni Bonello, Kristaq Traja, Vladimiro Zagrebelsky, Stanislav Pavlovschi dhe Lech Garlicki, dhe gjithashtu Lawrence Early, Kancelar i Seksionit, e deklaroi kërkesën të pranueshme.
5. Më 25 gusht 2009, Dhoma, e përbërë nga gjyqtarët: Sir Nicolas Bratza, Josep Casadevall, Lech Garlicki, Giovanni Bonello, Vladimiro Zagrebelsky, Ljiljana Mijović, Ján Šikuta, dhe Kancelari i Seksionit Lawrence Early, dha vendimin e saj. Ajo vendosi: njëzëri, se ka nuk pasur shkelje të nenit 2 të Konventës në aspektin material të tij lidhur me përdorimin e tepruar të forcës; me pesë vota pro dhe dy kundër se nuk ka pasur shkelje të nenit 2 në aspektin material të tij lidhur me detyrimin pozitiv për mbrojtjen e jetës; me katër vota pro dhe tre kundër se ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës në aspektin e tij procedural; njëzëri se nuk ishte i nevojshëm shqyrtimi i çështjes lidhur me nenet 3, 6 dhe 13 të Konventës; dhe njëzëri se nuk pasur shkelje të nenit 38 të Konventës. Ajo gjithashtu u dha, në lidhje me dëmin jo material, 15 000 € (euro) secilit prej kërkuesve Giuliano Giuliani dhe Adelaide Gaggio dhe 10 000 € (euro) për kërkuesin Elena Giuliani.
6. Më 24 nëntor 2009 Qeveria dhe kërkuesit, në bazë të nenit 43 të Konventës dhe nenit 73 të Rregullores, kërkuan referimin e çështjes në Dhomën e Madhe. Më 1 mars 2010 kolegji i Dhomës së Madhe e pranoi kërkesën.
7. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
8. Kërkuesi dhe Qeveria paraqitën pretendimet me shkrim (neni 59 § 1 i Rregullores së Gjykatës).
9. Më 27 shtator 2010, gjyqtarët (titullarë dhe zëvendësues) të zgjedhur për të marrë pjesë në çështjen konkrete panë CD-ROM-ët e paraqitur nga palët më 28 qershor dhe 9 korrik 2010 (shih paragrafin 139 më poshtë). 10. Seanca publike gjyqësore u zhvillua në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg më 29 shtator 2010 (neni 59 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
U paraqiten përpara Gjykatës:
(a) për Qeverinë
Z.N. Lettieri, Bashkë- Agjent,
Znj.P. Accardo, Bashkë- Agjent,
Z.G. Albenzio, Avokat i Shtetit;
(b) për kërkuesit
Z.N. Paoletti,
Znj.G. Paoletti,
Znj.N. Paoletti,Përfaqësues ligjorë,
Znj.C. Sartori, Asistent.
Gjykata dëgjoi parashtresat e tyre.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
11. Kërkuesit kanë lindur respektivisht më 1938, 1944 dhe 1972 dhe jetojnë në Gjenovë dhe Milano. Ata janë babai, nëna dhe motra e Carlo Giuliani, i cili u qëllua dhe u vra gjatë demonstratave jo të zakonshme të samitit të G8 në Gjenovë në korrik 2001.
A. Sfondi për samitin e G8 në Gjenovë dhe ngjarjet që paraprin vdekjen e Carlo Giuliani
12. Më 19, 20 dhe 21 korrik 2001 Samiti i G8 u mbajt në Gjenovë. Shumë demonstrata "anti-globaliste" u organizuan në qytet dhe autoritetet italiane aktivizuan një aparat të fuqishëm sigurie. Neni 4 (1) i ligjit nr. 149 të datës 8 qershor 2000, autorizonte prefektin e Gjenovës t’i drejtohej personelit të forcave të armatosura për të garantuar sigurinë publike në lidhje me takimin. Përveç kësaj, pjesa e qytetit ku zhvillohej takimi i G8 (qendra historike) ishte përcaktuar si "zonë e kuqe" dhe ishte rrethuar me rrjetë metalike. Si rezultat, vetëm banorët dhe personat që punonin në atë zonë lejoheshin të hynin. Hyrja në port ishte ndaluar dhe aeroporti ishte i mbyllur për trafikun. Zona e kuqe ishte futur në një zonë të verdhë, e cila nga ana e saj rrethohej nga një zonë e bardhë (zonë normale).
13. Urdhri i shërbimit të 19 korrikut 2001 ishte lëshuar nga komandanti i forcave të rendit, ditën para vdekjes së Carlo Giuliani. Ky urdhër përcaktonte prioritetet e forcave të rendit, të përmbledhura si vijon: përgatitjen e një vije mbrojtjeje brenda zonës së kuqe, me detyrën e kundërpërgjigjes me shpejtësi ndaj çdo përpjekjeje për të hyrë brenda saj; përgatitjen e një vije mbrojtjeje brenda zonës së verdhë për të përballuar çdo incident, duke marrë parasysh vendosjen e demonstruesve në pika të ndryshme si dhe veprimet e disa elementëve më ekstremistë; marrjen e masave për ruajtjen e rendit publik në akset e prekura nga demonstratat, duke marre parasysh rrezikun e sulmeve të dhunshme të favorizuara nga efekti i masës.
14. Palët ranë dakord se urdhri i shërbimit të 19 korrikut 2001 kishte ndryshuar planet e përcaktuara deri në atë moment lidhur me mënyrën e shpërndarjes së mjeteve dhe burimeve në dispozicion, me qëllim bllokimin me sukses të çdo tentative penetrimi në zonën e kuqe nga ana e pjesëmarrësve të demonstratës së Tute Bianche ("kominoshet e bardha"), e cila ishte shpallur dhe autorizuar për të nesërmen.
15. Kërkuesit pretenduan se urdhri i shërbimit i 19 korrikut i kishte dhënë togës së karabinierëve, të përfshirë në vdekjen e Carlo Giuliani një rol dinamik, ndërkohë që më parë ata qëndronin në një vend. Qeveria deklaroi se, instruksionet e shërbimit u ishin përcjellë verbalisht oficerëve në terren.
16. Një sistem komunikimi me radio me një qendër operative pranë rajoneve policore (kuesturës), e vënë në dispozicion, ishte në kontakt me radio me forcat në terren. Karabinierët dhe forcat e policisë nuk mund të komunikonin direkt me radio ndërmjet tyre; mund të kontaktonin vetëm me qendrën operative.
17. Në mëngjesin e 20 korrikut, disa grupe demonstruesish tepër agresive, veshur me kapuç dhe maska ( "Blloku i Zi") provokuan një sere incidentesh dhe përleshje me forcat e rendit. Marshimi i Tute Bianche ishte parashikuar të nisej nga stadiumi Carlini. Në demonstratë merrnin pjesë organizata të ndryshme: përfaqësues të lëvizjes "No Global", të qendrave sociale dhe të rinisë komuniste të partisë Rifondazione comunista. Ata besonin në protestën paqësore (mosbindjen civile), por kishin shpallur një objektiv strategjik, pikërisht të përpiqeshin për të depërtuar në zonën e kuqe. Më 19 korrik 2001 kreu i autoritetit policor të Gjenovës (Kuestori) kishte ndaluar marshimin e Tute Bianche të hynte në zonën e kuqe dhe në atë ngjitur, dhe kishte shpërndarë forcat e rendit në mënyrë që të ndalonte marshimin për në Piazza Verdi. Rrjedhimisht, demonstruesit mund të marshonin nga stadiumi Carlini dhe gjatë gjithë rrugës përgjatë Via Tolemaide në Piazza Verdi, që do të thotë, përtej kryqëzimit të Via Tolemaide dhe Corso Torino, ku kanë ndodhur përleshjet, siç detajohet më poshtë.
18. Rreth orës 13.30 marshimi lëvizi dhe përparoi ngadalë drejt perëndimit. Në Via Tolemaide kishte gjurmë të trazirave të mëparshme. Një grup kontakti i përbërë nga politikanë e gazetarë të pajisur me kamera dhe aparate fotografike, ecnin në krye të kolonës marshuese. Marshuesit ngadalësonin ritmin dhe ndalonin vazhdimisht. Në afërsi të Via Tolemaide, disa incidente përfshinë personat e maskuar dhe me kapuç kundër forcave të rendit. Demonstruesit arritën tek tuneli i hekurudhës në kryqëzim me Corso Torino. Papritur, disa karabinierë nën urdhrat e Z. Mondelli, hodhën lotsjellës ndaj demonstruesve. Karabinierët sulmuan më pas me shkopinj gome. Demonstruesit u detyruan të zmbrapseshin deri në kryqëzimin me Via Invrea.
19. Demonstruesit u ndanë: disa u drejtuan drejt detit, të tjerët u larguan në Via Invrea dhe më pas në zonën përreth Piazza Alimonda. Disa demonstrues u kundërpërgjigjën duke hedhur objekte të rënda të tilla si shishe qelqi apo kazanët e plehrave ndaj forcave të rendit. Automjete të blinduara të karabinierëve përshkuan me shpejtësi të lartë rrugën Casaregis dhe rrugën Invrea duke hedhur tutje barrikadat e ngritura nga demonstruesit dhe detyruar demonstruesit në largoheshin. Në orën 15.22 qendra operative urdhëroi Z. Mondelli për t’u larguar dhe të lejonte marshuesit të kalonin.
20. Disa demonstrues organizuan një kundërpërgjigje të dhunshme dhe përplasje me forcat e rendit. Rreth orës 15.40 një grup demonstruesish sulmuan një furgon të blinduar të policisë dhe i vunë flakën.
B. Vdekja e Carlo Giuliani
21. Rreth orës 17, grupi i batalionit Sicilia, me pesëdhjete karabinierë të vendosur pranë Piazza Alimonda, vunë re një grup demonstruesish në dukje shumë agresivë. Dy xhipa Defender ishin parkuar aty afër. Oficeri i policisë Lauro, urdhëroi karabinierët të sulmonin demonstruesit. Në këmbë, të ndjekur nga dy xhipat, karabinierët sulmuan demonstruesit. Këta të fundit arritën të mbrapsin sulmin dhe karabinierët u tërhoqën në mënyrë të çrregullt pranë Piazza Alimonda. Pamjet e marra nga helikopteri tregojnë demonstruesit, në orën 15.23 që përparojnë në Via Caffa duke ndjekur forcat e rendit.
22. Gjatë zmbrapsjes së karabinierëve, dy xhipat tentuan të largoheshin nga vendngjarja. Njëri prej tyre arriti të largohej, ndërsa tjetri mbeti i bllokuar pasi rruga ishte bllokuar nga një kazan mbeturinash i kthyer përmbys. Papritmas një grup demonstruesish që mbanin në duar gurë, shkopinj dhe shufra hekuri e rrethuan atë. Dritaret anësore të pasme dhe xhami i pasmë i xhipit u bënë thërrime. Demonstruesit bërtitën me sharje dhe kërcënime në adresë të personave brenda xhipit dhe hodhën gurë dhe një bombol për shuarje zjarri kundër mjetit.
23. Brenda mjetit ndodheshin tre karabinierë: Filippo Cavataio (“F.C.”), drejtuesi i mjetit, Mario Placanica (“M.P.”) dhe Dario Raffone (“D.R.”). M.P., i cili ishte duke vuajtur efektet e granatave lotsjellëse që kishte hedhur gjatë ditës, ishte autorizuar nga kapiten Cappello, komandant i një kontingjenti karabinierësh, të hipte në xhip për t’u larguar nga vendi i përplasjeve të mëparshme. I mbledhur kruspull në pjesën e pasme të xhipit, i plagosur dhe në panik, duke u mbrojtur nga njëra anë me një mburojë (sipas deklarimin të një demonstruesi të quajtur Predonzani), duke u bërtitur demonstruesve të largoheshin se ndryshe "do t’i vriste ata" M.P. nxori pistoletën e tij Beretta 9 mm, e drejtoi drejt xhamit të pasmë të thyer dhe, pas disa dhjetëra sekondash, qëlloi dy herë.
24. Njëri prej plumbave goditi Carlo Giuliani, një demonstrues i maskuar, në fytyrë, poshtë syrit të majtë. Ai ndodhej pak metra larg xhipit dhe sapo kishte marrë në një fikse zjarri bosh. Ai u rrëzua në tokë pranë rrotës së pasme të majtë të xhipit.
25. Pak më pas, F.C. arriti të nisej, e për t’u çliruar eci me marshin mbrapa duke kaluar kështu mbi trupin e Carlo Giuliani. Më pas futi marshin e parë dhe kaloi për herë të dytë mbi trupin dhe u largua. Xhipi u drejtua për në Piazza Tommaseo.
26. Pas disa metrash marshalli i karabinierisë Amatori hipi në xhip dhe zuri vend në timon “pasi drejtuesi i mjetit ishte në gjendje shoku”. Edhe një karabinier tjetër, me emrin Rando hipi në të.
27. Forcat e policisë të vendosura në anën tjetër të Piazza Alimonda ndërhynë dhe shpërndanë demonstruesit. Atyre iu bashkuan edhe disa karabinierë. Në orën 15:27 një oficer i policisë i pranishëm në vendin e ngjarjes u lidh me qendrën operative për të kërkuar një ambulancë. Një mjek i cili mbërriti në vendin e ngjarjes konstatoi vdekjen e Carlo Giuliani.
28. Sipas Ministrisë së Brendshme (Ministero dell’Interno), ishte e pamundur për të treguar numrin e saktë të karabinierëve dhe të forcave të policisë në vendngjarje në momentin e vdekjes Carlo Giuliani; ka pasur afërsisht pesëdhjetë karabinierët, rreth 150 metra larg xhipit. Përveç kësaj, 200 metra larg, pranë Piazza Tommaseo, ka pasur një grup oficerësh policie.
29. Duke u bazuar, inter alia, në dëshmitë e dhëna nga pjesëtarët e forcave të rendit gjatë një procesi paralel ("gjyqi kundër të njëzet e pesëve", shih paragrafët 121-138 më poshtë), kërkuesit deklaruan në mënyrë të veçantë se, në Piazza Alimonda, karabinierët kishin pasur mundësi të hiqnin maskat e gazit dhe të hanin e të pushonin. Në këto rrethana të "qeta", kapiteni Cappello kishte urdhëruar M.P. dhe D.R. të hipnin në njërin nga xhipat. Ai e gjykoi me vend të hipte në xhip dy karabinierët, pasi ata ishin psikologjikisht të lodhur ("a terra") dhe jo më fizikisht të aftë për të qëndruar në shërbim. Gjithashtu, duke e quajtur me vend që M.P. të ndalonte së hedhuri gaz lotsjellës, Cappello i hoqi pajisjet e hedhjes së lotsjellësve dhe çantën që përmbante granatat lotsjellëse.
30. Duke iu referuar fotografive të marra pak pas të shtënave fatale, kërkuesit theksuan se arma ishte mbajtur horizontalisht me drejtim nga poshtë. Ata gjithashtu iu referua deklaratave të bëra nga nënkolonel Truglio (shih paragrafin 43 më poshtë), i cili deklaroi se ai kishte qenë afërsisht dhjetë metra nga Piazza Alimonda dhe tridhjetë apo dyzet metra larg nga xhipi. Karabinierët (rreth njëqind prej tyre) kishte qenë disa dhjetëra metra nga xhipi. Oficerët e policisë kishin qenë në fund të Via Caffa, drejt Piazza Tommaseo. Kërkuesit parashtruan se fotografitë në dosjen hetimore tregonin qartë disa karabinierët jo shumë larg nga xhipi.
C. Hetimet nga autoritet kombëtare
1. Hapat e para hetimore
31. Disa metra nga trupi i Carlo Giuliani u gjet një gëzhojë. Nuk u gjet asnjë plumb. Pranë trupit të viktimës u gjetën ndërmjet objekteve të tjera edhe një fikse zjarri dhe një gur i përlyer me gjak, të cilat u sekuestruan nga policia. Nga dosja rezulton se, prokurori i çështjes i ka besuar organeve policore tridhjetë e gjashtë akte hetimore. Xhipi, në të cilin kishte udhëtuar M.P., bashkë me armën dhe pajimet që i përkisnin atij, mbetën në duart e karabinierëve dhe për rrjedhoje u bënë objekt i sekuestrimit gjyqësor; një gëzhojë u gjend brenda në xhip.
32. Gjatë natës së 20 korrikut 2001 skuadra e lëvizshme e policisë së Gjenovës dëgjoi raportimin nga dy oficerët e policisë, Z. Martino dhe Z. Fiorillo. Më 21 korrik kapiteni Cappello, i cili ishte në krye të kompanisë ECHO, referoi ngjarjet e një ditë më parë dhe tregoi emrat e karabinierëve që kishin qenë në xhip. Ai deklaroi se nuk kishte dëgjuar asnjë të shtënë, ndoshta për shkak kufjes së radios, të kaskës dhe maskës kundër gaz, që kufizonin dëgjimin e tij.
2. Vënia nën hetim i M.P. dhe F.C.
33. Mbrëmjen e 20 korrikut 2001 M.P. dhe F.C. u identifikuan dhe u dëgjuan nga prokurori i Gjenovës si të dyshuar për vrasje me dashje. Marrja në pyetje u zhvillua në mjediset e komandës së karabinierisë të Gjenovës.
(a) Deklarata e parë e M.P
34. M.P. ishte ndihmës karabinier i caktuar në batalionin nr. 12 (Sicilia), dhe një nga anëtarët e kompanisë ECHO e cila ishte ngritur për nevoja të samitit G8. Së bashku me katër kompani të tjera që vinin nga rajone të ndryshme të Italisë, kompania ECHO ishte pjesë të CCIR, nën urdhrat e nënkolonel Truglio. Kompania ECHO ishte nën urdhrat e kapitenit Cappello dhe të zëvendësve të tij Mirante dhe Zappia, dhe nën drejtimin dhe koordinimin nga z Lauro, një oficer i lartë (zëvendës kuestori) i policisë së Romës. Secila nga pesë kompanitë ishte e ndarë në katër toga me nga pesëdhjetë vetë secila. Komandanti i të gjitha kompanive ishte koloneli Leso.
35. M.P., i cili u lind më 13 gusht 1980 dhe filloi shërbimin si karabinier më 16 shtator 2000, ishte njëzet vjeç dhe njëmbëdhjetë muaj në atë kohë. Ai është trajnuar në përdorimin e granatave dhe ishte caktuar për të hedhur gaz lotsjellës. Ai deklaroi se gjatë operacioneve të ruajtjes së rendit publik ai dhe toga e tij duhet të kishin lëvizur në këmbë. Pasi kishte gjuajtur disa granata lotsjellëse, ai kishte ndjerë një djegie në sy dhe fytyrë dhe i kishte kërkuar kapitenit Cappello leje për të hipur në një xhip. Pak kohë më pas një tjetër karabinier (DR), i cili ishte i plagosur, iu bashkua atij.
36. M.P. deklaroi se kishte qenë shumë e frikësuar për shkak të gjithçka kishte parë të hidhej atë ditë, dhe veçanërisht i trembej faktit se mos demonstruesit hidhnin shishe Molotov. Pastaj shpjegoi se frika i ishte shtuar kur ishte plagosur në njërën këmbë nga një objekt metalik dhe në kokë me një gur. Ai deklaroi se e kishte ndjerë praninë e agresoreve për shkak të breshërive të gurëve dhe se kishte menduar se "qindra demonstrues po rrethonin xhipin", edhe pse shtoi se "në momentin e të shtënave nuk pa asnjë". Saktësoi se kishte rënë "pre e panikut". Në një moment ai e kuptoi se dora e tij kishte mbërthyer pistoletën, e kishte ngritur dorën që mbante armën nga xhami i pasmë i xhipit dhe, pas rreth një minutë, kishte shtënë dy herë. Ai deklaroi se, ai nuk e kishte kuptuar se Carlo Giuliani ishte prapa xhipit, as para as pasi kishte gjuajtur.
(b) Deklarata e F.C
37. F.C., drejtuesi i xhipit, ka lindur më 3 shtator 1977 dhe kishte shërbyer si karabinier për njëzet e dy muaj. Në atë kohë ai ishte njëzet e tre vjeç dhe dhjetë muaj. Ai deklaroi se ishte gjendur në një rrugicë pranë Piazza Alimonda dhe kishte tentuar të kthehej të kthehej mbrapa në drejtim të sheshit, pasi kishte vënë re se toga po zmbrapsej nga demonstruesit. Megjithatë, e kishte gjetur rrugën të bllokuar nga një kazan mbeturinash dhe i ishte fikur motori. Pohoi se kishte mbledhur të gjitha forcat për të lëvizur xhipin ndërsa kolegët e tij brenda automjetit bërtisnin. Si rezultat, ai nuk i kishte dëgjuar të shtënat. Në fund, ai deklaroi: "Nuk kam vënë re askënd në toke pasi mbaja një maskë, e cila pjesërisht kufizonte fushëpamjen time... për më tepër që pamja anësore në automjet nuk ishte optimale. Kam ecur mbrapsht dhe nuk ndjeva asnjë rezistencë; në fakt, unë ndjeva një tronditje në rrotën e majtë dhe mendova se duhet të ishte ndonjë grumbull plehrash, meqenëse kazani i plehrave ishte përmbysur. Mendimi i vetëm në kokën time ishte se si të largohesha nga ajo rrëmujë.”
(c) Deklarata e D.R
38. D.R., i cili u lind më 25 janar 1982, kryente shërbimin ushtarak që nga 16 marsi 2001. Në atë kohë ai ishte nëntëmbëdhjetë vjet dhe gjashtë muaj. Ai deklaroi se ishte goditur në fytyrë dhe në shpinë nga gurët e hedhur nga demonstruesit dhe se kishte filluar t’i rridhte gjak. Ishte përpjekur të mbrohej duke mbuluar fytyrën, ndërsa M.P. ishte përpjekur që ta mbronte me trupin e tij. Në atë moment, ai nuk mund të shihte asgjë, por kishte dëgjuar bërtitje dhe zhurmën e goditjeve dhe objekteve që hynin në kabinën e xhipit. Kishte dëgjuar M.P. t’u bërtiste agresorëve që të ndalonin dhe të largoheshin, dhe menjëherë më pas dy të shtënat.
(d) Deklarata e dytë e M.P
39. Më 11 shtator 2001 M.P., i pyetur nga prokurori i çështjes, konfirmoi deklarimet e tij të datës 20 korrik 2001, duke shtuar se u kishte bërtitur demonstruesve: "Largohuni, ose ju vrava!"
3. Deklarata të tjera të mbledhura gjatë hetimeve
(a) Deklaratat e bëra nga karabinierët e tjerë
40. Marshalli Amatori, i cili ishte në xhipin tjetër në Piazza Alimonda, deklaroi se kishte vërejtur se, xhipi me M.P. brenda ishte bllokuar nga një kazan mbeturinash dhe ishte rrethuar nga një numër i madh demonstruesish, "sigurisht më shumë se njëzet". Këta të fundit hidhnin objekte kundër xhipit. Marshalli kishte vënë re, sidomos, se një demonstrues kishte hedhur një fikse zjarri në dritaren e pasme të makinës. Ai deklaroi se kishte dëgjuar të shtënat dhe kishte parë të binte në tokë Carlo Giuliani. Kishte parë edhe manovrën e xhipit që kishte kaluar dy herë mbi trupin e Carlo Giuliani. Pasi xhipi kishte arritur të largohej nga Piazza Alimonda, ai ishte afruar atje dhe kishte parë drejtuesin e mjetit të dilte jashtë dhe, i tronditur dukshëm, të kërkonte ndihmë. Marshalli kishte zënë vendin e drejtuesit dhe kishte vërejtur se M.P. kishte një pistoletë në dorë dhe e kishte urdhëruar ta vendoste në siguresë. Ai deklaroi se, menjëherë kishte menduar se bëhej fjalë për armën që kishte shtënë pak më parë, por nuk i tha asgjë M.P., i cili ishte i plagosur dhe i rridhte gjak nga koka. Drejtuesi i mjetit F.C. i tregoi se kishte dëgjuar të shtëna, ndërsa ai ishte duke manovruar me xhip. Marshallit nuk iu dha ndonjë shpjegim për rrethanat e vendimit për të shtënë dhe as nuk bëri ndonjë pyetje lidhur me këtë.
41. Karabinieri Rando kishte arritur në këmbë tek xhipi në fjalë. Ai deklaroi se ai kishte parë armën e M.P. jashtë këllëfit dhe e kish pyetur këtë të fundit nëse kishte qëlluar. Ai i ishte përgjigjur se po, pa specifikuar nëse kishte qëlluar në ajër apo në drejtimin të ndonjë demonstruesi të caktuar. Rando pohoi se M.P. përsëriste frazën: "donin të më vrisnin, nuk dua të vdes".
42. Më 11 shtator 2001 prokurori i çështjes dëgjoi dëshminë e kapiten Cappellos, komandant i kompanisë ECHO (shih paragrafin 34 më lart). Kapiteni Cappello deklaroi se kishte autorizuar M.P. të hipte në xhip dhe kishte marrë hedhësen e lotsjellësit të tij pasi kishte vënë re se M.P. ishte në vështirësi. Në vijim ai deklaroi (në "gjyqin e të njëzet e pesëve", seanca e 20 shtatorit 2005) se M.P. ishte fizikisht i paaftë për të vazhduar shërbimin për arsye të problemeve psikologjike dhe tensionit mendor. Kapiten Cappello deklaroi se ishte drejtuar me njerëzit e tij - rreth pesëdhjetë - drejt trekëndëshit midis Piazza Alimonda dhe Via Caffa. Atij i ishte kërkuar nga oficeri Lauro që të ngjitej në Via Caffa në drejtim të Via Tolemaide për të ndihmuar forcat që operonin atje në përpjekje për të zmbrapsur demonstruesit. Ai tha se kishte qenë në mëdyshje lidhur me kërkesën, duke pasur parasysh numrin dhe lodhjen e personave që kishte në dispozicion, por gjithsesi ishin vendosur në Via Caffa. Nën shtytjen e demonstruesve që vinin nga Via Tolemaide, karabinierët ishin detyruan të zmbrapseshin; fillimisht ishin tërhequr në mënyrë të rregullt, dhe pastaj në mënyrë të shpërndarë. Z. Cappello deklaroi se nuk e kishte kuptuar që në momentin e tërheqjes, karabinierët ishin ndjekur nga dy xhipa, prania e të cilëve nuk kishte ndonjë "justifikim funksional". Demonstruesit ishin shpërndarë vetëm falë ndërhyrjes së skuadrave të lëvizshme të policisë që ishin në anën tjetër të Piazza Alimonda. Vetëm atëherë ai kishte konstatuar se një njeri me kapuç gjendej i shtrirë në tokë, me sa dukej i plagosur rëndë. Capello deklaroi se disa nga njerëzit e tij mbanin kaska të pajisura me video kamera të cilat do hidhnin dritë mbi zhvillimin e ngjarjeve; video regjistrimet ishin dorëzuar tek kolonel Leso.
43. Nënkoloneli Truglio, eprori i kapiten Capello, deklaroi se ishte ndalur nja dhjetë metra larg nga Piazza Alimonda dhe tridhjetë-dyzetë metra nga xhipi, dhe se kishte vënë re se xhipi po kalonte mbi një trup të shtrirë në tokë.
(b) Deklarata e funksionarit të policisë Lauro
44. Më 21 dhjetor 2001 Z. Lauro u dëgjua nga prokurori i çështjes. Ai deklaroi se ishte vënë në dijeni për ndryshimin e urdhrave të shërbimit në mëngjesin e 20 korrikut 2001. Në seancën e 26 prill 2005 gjatë "gjyqit e të njëzet e pesëve", ai deklaroi se ishte informuar më 19 korrik 2001 se për të nesërmen nuk ishte lejuar asnjë marshim. Më 20 korrik ai ende nuk kishte qenë në dijeni se do të zhvillohej një marshim i autorizuar. Gjatë ditës kishte shkuar në Piazza Tommaseo, ku kishte përplasje me demonstruesit. Në orën 15:30, ndërsa situata ishte e qetë, nënkolonel Truglio dhe dy xhipa u ishin bashkuar kontingjentit. Midis orës 16:00 dhe 16:45 kontingjenti ishte përfshirë në disa përleshje në Corso Torino. Pastaj kishte arritur në afërsi të Piazza Tommaseo dhe Piazza Alimonda. Nënkoloneli Truglio dhe dy xhipa ishin kthyer dhe kontingjenti u riorganizua. Z. Lauro deklaroi se kishte vënë re një grup demonstruesish në fund të Via Caffa, të cilët kishin formuar një barrierë me disa kazanë mbeturinash dhe avanconin drejt forcave policore. Ai pohoi se kishte pyetur kapiten Cappello-n nëse njerëzit e tij ishin në gjendje për t’i bërë ballë situatës dhe ky i fundit ishte përgjigj pozitivisht. Kështu, Z. Lauro dhe kontingjenti tij kishin zënë pozicion afër Via Caffa. Ai dëgjoi urdhrin për t’u tërhequr dhe mori pjesë në tërheqjen e çrregullt të kontingjentit.
(c) Deklarata të tjera të bëra para prokurorit të çështjes
45. Disa demonstrues të pranishëm në kohën e ngjarjeve dhanë deklarata përpara prokurorit. Disa prej tyre thanë se kishin qenë shumë afër me xhipin dhe kishin hedhur vetëm gurë dhe kishin goditur xhipin me shkopinj dhe objekte të tjera. Sipas një demonstruesi, M.P. kishte bërtitur: "Bastardë, do vras shumë prej jush!". Një tjetër kishte vënë re se karabinieri brenda në xhip kishte nxjerrë pistoletën; demonstruesi u kishte thirrur shokëve të bënin kujdes pastaj ishte larguar. Një tjetër deklaroi se M.P. mbrohej nga njëra anë me një mburojë.
46. Disa persona që kishin parë ngjarjet nga dritaret e shtëpive të tyre deklaruan se kishin parë një demonstrues që mori një fikse zjarri dhe e ngriti. Kishin dëgjuar dy të shtëna dhe kishin parë demonstruesin të rrëzohej përtokë.
4. Materiali audioviziv
47. Gjatë hetimin prokurori urdhëroi forcat e rendit, që t’i dorëzonin çdo materiali audioviziv, i cili mund të ndihmonte në rindërtimin e ngjarjeve në Piazza Alimonda. Fotografitë dhe regjistrimet video ishin bëre nga ekipet e filmit, telekamerat e montuara tek helikopterët dhe nga minitelekamerat e montuara në kaskat e disa prej oficerëve. Gjithashtu kishin në dispozicion edhe fotografitë e bëra privatisht.
5. Ekspertiza
(a) Autopsia
48. Brenda njëzet e katër orëve, prokurori urdhëroi një autopsi për të përcaktuar shkakun e vdekjes së Carlo Giuliani. Më 21 korrik 2001 në orën 12.10 një lajmërim për autopsi – ku saktësohej se pala e dëmtuar mund të caktonte një ekspert dhe një avokat – iu njoftua kërkuesit të parë, të atit të Carlo Giuliani. Në 15:15 Z. Canale dhe Z. Salvi, ekspertët e caktuar nga organet e ndjekjes penale, u emëruan formalisht me mandat dhe kështu filluan veprimet e autopsisë. Kërkuesit nuk dërguan asnjë përfaqësues apo ekspert të caktuar prej tyre.
49. Ekspertët i kërkuan prokurorit gjashtëdhjetë ditë për të përgatitur raportin e tyre. Kërkesa u pranua. Më 23 korrik 2001, prokurori i çështjes autorizoi djegien e trupit të Carlo Giuliani në përputhje me dëshirën e familjes.
50. Raporti i ekspertëve u dorëzua më 6 nëntor 2001. Ai vinte në dukje se Carlo Giuliani ishte goditur nën syrin e majtë nga një plumb që kishte kaluar nëpër kafkë dhe kishte dalë nga pareti i pasmë i majtë. Trajektorja e plumbit kishte qenë si më poshtë: i qitur nga më shumë se pesëdhjetë metra largësi, nga përpara në drejtim mbrapa, nga e djathta në të majtë, nga lart poshtë, pra në një drejtim në rënie. Carlo Giuliani ishte 1.65 metra i gjatë. Qitësi ndodhej përballë me viktimën, i shmangur paksa në të djathtë. Sipas ekspertëve, e shtëna me armë zjarri në kokë, ishte e një shkalle të tillë që i kishte shkaktuar vdekjen brenda pak minutash; kalimi i xhipit mbi trup kishte provokuar vetëm dëmtime të parëndësishme të vogla në organet toraksit dhe ato abdominale.
(b) Ekspertiza mjeko-ligjore mbi M.P. dhe D.R.
51. Pas largimit nga Piazza Alimonda, tre karabinierët që kishin qenë në xhip, kishin shkuar në urgjencën e spitalit të Gjenovës. M.P. ankohej nga dëmtime në këmbën e tij të djathtë dhe një dëmtim në kafkë me plagë të hapura; kundër këshillës së mjekëve, për t’u shtruar në spital, M.P. nënshkroi për të dalë dhe u largua nga spitali rreth orës 21:30. Ai kishte një dëmtim të kafkës të shkaktuar sipas tij, nga një goditje në kokë me një send jo prerës, ndërsa ai kishte qenë lart në xhip.
52. D.R. paraqiste shembje e gërvishtje në hundë dhe në mollëzën e djathtë dhe mavijosje në shpatullën e majtë dhe këmbën e majtë. F.C. kishte shfaqur sindroma psikologjike post traumatike të shërueshme për pesëmbëdhjetë ditë.
53. Ekspertime mjeko-ligjore u kryen për të përcaktuar natyrën e saktë të këtyre dëmtimeve dhe lidhjen e tyre me sulmin e bërë nga demonstruesit kundër personave në xhip. Raportet e këtyre ekspertimeve treguan se dëmtimet e M.P. dhe D.R. nuk kishin qenë të një shkalle të tillë që të përbënin rrezik për jetën. Dëmtimet e M.P. në kafkë mund të ishin shkaktuar nga hedhja e një guri, por nuk mund të përcaktohej origjina e dëmtimeve të tjera të tij. Lëndime në fytyrë tek D.R. mund të ishin shkaktuar nga një gur i hedhur ndërsa mavijosja në shpatull nga një goditje me një dërrasë druri.
(c) Ekspertiza balistike e urdhëruar nga prokurori
(i) Ekspertiza e parë
54. Më 4 shtator 2001, prokurori i kërkoi Z. Cantarella që të përcaktonte nëse gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes (njëra në xhip dhe tjetra disa metra larg trupit të Carlo Giuliani- shih paragrafin 31 më lart) i përkisnin së njëjtës armë dhe konkretisht armës së M.P. Akt ekspertimi që mbante datën 5 dhjetor 2001 tregonte se kishte një probabilitet 90% që gëzhoja e gjetur në xhip vinte nga pistoleta e M.P., ndërkohë për gëzhojën tjetër të gjetur pranë trupit Carlo Giuliani kishte një probabilitet 10% që i përkiste së njëjtës armë. Në përputhje me nenin 392 të Kodit të Procedurës Penale ("KPP"), këto teste janë kryer në mënyrë të njëanshme, që do të thotë, asnjë nga palët e dëmtuara nuk kishin pasur mundësi për të marrë pjesë.
(ii) Ekspertiza e dytë
55. Prokurori caktoi një ekspert të dytë, inspektorin e policisë Manetto. Ky i fundit, në akt ekspertimin e dorëzuar më 15 janar 2002, deklaroi se probabiliteti që gëzhoja e gjetur pranë trupit të viktimës të kishte ardhur nga arma e M.P. ishte 60%. Ai arriti në përfundimin se të dy gëzhojat i përkisnin armës së M.P. dhe vlerësoi distancën ndërmjet M.P. dhe Carlo Giuliani në momentin e të shtënës diku rreth 110 apo 140 centimetra. Ekspertiza u krye në mënyrë të njëanshme.
(iii) Ekspertiza e tretë
56. Më 12 shkurt 2002, prokurori urdhëroi një grup ekspertësh (të përbërë nga Z. Balossino, Z. Benedetti, Z. Romanini dhe Z. Torre) "të riprodhonin, madje edhe në formë virtuale, veprimet e M.P. dhe Carlo Giuliani në momentet menjëherë para dhe pasi plumbi goditi trupin e viktimës". Në veçanti, ekspertëve iu kërkua "përcaktimi i distancës ndërmjet M.P. dhe Carlo Giuliani, këndet e tyre të vështrimit dhe fushë pamjet brenda xhipit të M.P. në momentin kur ai qëlloi". Vërehej nga dosja se Z. Romanini kishte publikuar një artikull në shtator 2001 në një revistë të specializuar (TAC Armi), në të cilën ai shprehte pikëpamjen, ndër të tjera, se veprimet e M.P. përbënin "një reagim të qartë dhe tërësisht të justifikuar mbrojtës".
57. Përfaqësuesit dhe ekspertët e emëruar nga kërkuesit morën pjesë në ekspertizën e grupit të ekspertëve. Avokati i kërkuesve, Z. Vinci, deklaroi se ai nuk dëshironte të bënte një kërkesë për marrjen e menjëhershme të provave (incidente probatorio). Neni 392 §§ 1 (f) dhe 2 të KPP lejon prokurorin dhe të akuzuarit, ndër të tjera, për t’i kërkuar gjyqtarit hetues (giudice per le indagini preliminari – tani e tutje GIP) të urdhërojë një ekspertizë, për një objekt, person apo vend i cili është subjekt i ndryshimeve të pashmangshme apo kur, nëse urdhërohet gjatë gjykimit, shqyrtimi në fjalë mund të sjellë pezullimin e procedurës për një periudhë që tejkalon gjashtëdhjetë ditë. Sipas nenit 394 të KPP-së i dëmtuari mund t’i drejtohet prokurorit që ky të kërkojë marrjen e menjëhershme të provave. Nëse prokurori refuzon kërkesën, ai duhet të dalë me një urdhër ku të sqarojë arsyet e këtij refuzimi dhe t’ia vënë në dispozicion palës së dëmtuar.
58. Një inspektim në vend ngjarje u bë më 20 prill 2002. Gjurmët e të shtënës u gjetën në muret e një ndërtese në Piazza Alimonda, në një lartësi prej rreth pesë metra.
59. Më 10 qershor 2002 ekspertët paraqitën akt ekspertimin e tyre. Ata deklaruan që në fillim se fakti që nuk kishin pasur mundësi të ekzaminonin trupin e Carlo Giuliani (sepse ishte djegur) dhe rrjedhimisht për të ri-shqyrtuar pjesë të trupit të tij dhe kërkimi për mikro-gjurmë, i kishte penguar ata për të bërë një akt ekspertimi të plotë. Në bazë të "materialit të pakët në dispozicion" ekspertët ishin përpjekur për të përcaktuar ndikimin që kishte pasur plumbi mbi trupin e Carlo Giuliani, dhe dolën në përfundimet e mëposhtme.
60. Dëmtimet në kafkë kanë qenë shumë serioze dhe kishin çuar në vdekjen "brenda një kohe të shkurtër". Plumbi nuk kishte dalë tërësisht nga koka e Carlo Giuliani-së; raporti (referto radiologico) i skanimit të plotë të trupit i kryer para autopsisë i referohej një "copëze, ndoshta metalike nën lëkurë" sipër kafkës në lobin oksipital. Kjo pjesë e errët metalike dukej si copëz gëzhoje. Plaga hyrëse e krijuar nga plumbi në fytyrë nuk ndihmonte në një interpretim të qartë; forma e saj e parregullt u shpjegua kryesisht nga lloji i indeve në pjesën e trupit të goditur nga plumbi. Megjithatë, një shpjegim i mundshëm është se plumbi nuk e kishte goditur direkt Carlo Giuliani, por kishte goditur më parë një objekt tjetër që mund t’i kish ndryshuar trajektoren dhe ta kishte ngadalësuar atë. Kjo hipotezë shpjegonte dimensionet e vogla të plagës së daljes së plumbit dhe copëzimin e plumbit brenda kokës së Carlo Giuliani.
61. Ekspertët raportuan se kishin gjetur një copëz të vogël metali plumb, që ndoshta vinte nga plumbi, e cila kishte nga maska e Carlo Giuliani, kur këtë ia kishin hequr, por ishte e pamundur të konstatohej nëse copa e gjetur vinte nga pjesa e përparme apo e pasme e maskës. Ajo mbante gjurmët e një substance e cila nuk ishte pjesë e plumbit si i tillë, por vinte nga një material që përdorej në industrinë e ndërtimit. Përveç kësaj, copëza plumbi ishin gjetur në pjesën e përparme dhe të pasme të maskës, me sa duket duke konfirmuar hipotezën se plumbi kishte humbur një pjesë të veshjes së tij në momentin e impaktit. Sipas ekspertëve, ishte e pamundur për të përcaktuar natyrën e objektit "të ndërmjetëm" të goditur mesa dukej nga plumbi; megjithatë ata hodhën mendimin se ky objekt mund të kishte qenë fiksja e zjarrit që mbante me krahët e shtrira Carlo Giuliani. Distanca nga e cila ishte qëlluar ishte më e madhe se 50-100 centimetra.
62. Në mënyrë që të rindërtonin ngjarjet në bazë të "teorisë së objektit të ndërmjetëm", ekspertët zhvilluan disa të shtëna provë dhe realizuan simulime video dhe kompjuterike. Ata arritën në përfundimin se nuk ishte e mundur për të përcaktuar trajektoren e plumbit pasi kjo kishte padyshim ndryshuar si pasojë e impaktit. Në bazë të video filmimit që tregonte një gur të copëtuar në ajër dhe të shtënën që mund të dëgjohej në fonogram, ekspertët arritën në përfundimin se guri ishte copëtuar menjëherë pasi ishte qëlluar. Një simulim kompjuterik tregonte plumbin, që gjuhej lart, i cili godiste Carlo Giuliani pas përplasjes me gurin në fjalë, i cili hidhej në xhip nga një demonstrues. Ekspertët vlerësuan se distanca ndërmjet Carlo Giuliani dhe xhipit kishte qenë afërsisht 1.75 metra dhe M.P. kishte qenë në gjendje për të parë Carlo Giuliani në momentin kur kishte qëlluar.
6. Investigimet e kërkuesve
63. Kërkuesit paraqiten një dëshmi të dhënë për avokatin e tyre nga J.M., një nga demonstruesit, më 19 shkurt 2002. J.M deklaroi në veçanti se Carlo Giuliani kishte qenë ende gjallë para se xhipi të kalonte sipër trupit të tij. Kërkuesit gjithashtu paraqiten një dëshmi të bërë nga një karabinier (V.M.), i cili kishte raportuar një praktikë të përhapur në mesin e forcave të policisë për modifikimin e plumbave të llojit të përdorur nga M.P. në mënyrë që të rrisin kapacitetin e tyre për t’u përhapur dhe copëzuar.
64. Së fundi, kërkuesit paraqiten dy raporte të hartuara nga ekspertët që ata vetë kishin zgjedhur. Sipas njërit prej ekspertëve, Z. Gentile, plumbi ishte copëzuar përpara se të godiste viktimën. Fakti që ai ishte copëzuar mund të shpjegohej me anë të një defekti prodhimi apo nga modifikime që mund t’i jenë bërë në mënyre që të kishte më shumë gjasa të copëtohej. Megjithatë, sipas mendimit të ekspertëve, këto dy skenarë ndodhnin më rrallë dhe për këtë arsye kishin më pak gjasa të ndodhnin se ai i përpunuar nga ekspertët e prokurorit (se plumbi ishte përplasur me një objekt të ndërmjetëm).
65. Ekspertët e tjerë të emëruar nga kërkuesit për rindërtimin e ngjarjeve arritën në përfundimin se guri ishte shpartalluar nga përplasja me xhipin dhe jo nga përplasja me plumbin që qëlloi M.P. Në mënyrë që të rindërtoheshin ngjarjet në bazë të materialit audioviziv, dhe sidomos nëpërmjet fotografive, ishte e nevojshme për të përcaktuar pozicionin e saktë të fotografit, dhe në veçanti të këndvështrimit të tij, duke marrë parasysh edhe llojin e pajisjeve të përdorura. Përveç kësaj, ishte e nevojshme përcaktimi i kohës së imazheve dhe se si përputheshin me zërin. Ekspertët e kërkuesve kritikuan metodën e përdorur nga autoritetet e ndjekjes penale "ekspertët e të cilëve i kishin bazuar analizat e tyre mbi "simulimet video dhe kompjuterike" dhe nuk kishin analizuar imazhet në dispozicion në mënyrë rigoroze dhe të detajuar. Metoda e përdorur për të testet e provave të gjuajtjes u kritikuan gjithashtu.
66. Ekspertët e kërkuesve konkluduan se Carlo Giuliani ishte rreth tre metra larg nga xhipi, kur u qëllua. Ndërsa ishte e pamohueshme se plumbi fatal ishte i copëzuar kur goditi viktimën, mundësia e përplasjes së tij me një gur që shihet në video duhet të përjashtohet. Një gur do kishte sjelle një shtrembërim të ndryshëm të plumbit dhe do linte shenja të ndryshme në trupin e Carlo Giuliani. Për më tepër, M.P. nuk kishte qëlluar lart.
D. Kërkesa për pushimin e çështjes dhe kundërshtimi i kërkuesve
1. Kërkesa për pushimin e çështjes
67. Në përfundim të hetimit të brendshëm prokurori i Gjenovës kërkoi që të ndërpriteshin hetimet kundër M.P. dhe FC. Prokurori pikë së pari vuri në dukje ndryshimet e konsiderueshme në urdhrat e shërbimit në natën e 19 korrik 2001, dhe pohoi se kjo shpjegonte pjesërisht problemet që kishin dalë më 20 korrik. Megjithatë, ai nuk detajoi ndryshimet apo problemet që kishin rrjedhur prej tyre.
68. Më tej, prokurori vërejti se versioni i ngjarjeve i Z. Lauro dhe ai i kapiten Cappello ndryshonte në një pikë: ndërsa i pari deklaroi se vendimi për vendosjen e forcave policore në Via Caffa në mënyrë që të bllokonin demonstruesit ishin marrë me marrëveshje të përbashkët, ky i fundit pohoi se ai kishte qenë një vendim i njëanshëm marrë nga Z. Lauro pavarësisht numrit të vogël të forcave policore dhe faktit se ishin të lodhur.
69. Ekspertët ranë dakord mbi pikat e mëposhtme: dy të shtëna janë qëlluar nga arma e M.P., ku plumbi i parë kishte vrarë Carlo Giuliani; plumbi në fjalë nuk ishte ndarë vetëm si rezultat i goditjes së viktimës; dhe Carlo Giuliani ishte fotografuar që mbante një bombol zjarrfikëse kur ai ishte rreth tre metra larg nga xhipi.
70. Megjithatë ata nuk binin dakord mbi pikat vijuese:
(a) sipas ekspertëve të caktuar nga organet e prokurorisë, Carlo Giuliani kishte qenë 1.75 metra larg nga xhipi kur plumbi e goditi atë (rreth tre metra larg sipas ekspertëve të caktuar nga familjarët e Giuliani);
(b) sipas ekspertëve të caktuar nga familjarët e Giuliani, të shtënat kishin ndodhur para se guri të mund të shihej në video, në kundërshtim me pikëpamjen e ekspertëve të caktuar nga organet e prokurorisë.
71. Duke qenë se palët binin dakord se plumbi ishte copëzuar para se të godiste viktimën, prokurori vërejti se ata bashkoheshin edhe për shkaqet që çuan në një copëzim të tillë të plumbit, dhe se kërkuesit e pranonin teorinë e "objektit të ndërmjetëm". Shpjegime të tjera të mundshme për copëzimin e plumbit të paraqitura nga kërkuesit - të tilla si ndryshime në strukturën e plumbit apo defekt prodhimi - ishin konsideruar nga vetë kërkuesit se kishin shumë më pak të ngjarë të ndodhin. Rrjedhimisht, në mendimin e prokurorit, ato nuk mund të konsideroheshin si alternativa të vlefshme
72. Hetimi kishte qenë i gjatë, në veçanti për shkak të vonesave me disa nga akt ekspertimet e mjekësisë ligjore, "natyrës sipërfaqësore" të aktit të autopsisë dhe gabimet e kryera nga njëri prej ekspertëve, Z. Cantarella. Megjithatë, ai kishte trajtuar në mënyre të detajuar të gjitha çështjet relevante dhe tregonte se hipoteza e plumbit të qëlluar lart dhe ndryshimi i trajektores së tij nga një gur ishte "më bindëse". Megjithatë, nuk kishte prova të mjaftueshme në dosje për të përcaktuar nëse M.P. kishte qëlluar vetëm me qëllimin për të shpërndarë demonstruesit apo me vetëdije kishte lejuar pasojat e plagosjes apo vrasjes të një ose më shumë prej tyre. Kishte tri skenarë lidhur me ngjarjen, por "kurrë nuk do mund të përcaktohej me saktësi kush prej tyre kishte ndodhur ". Skenarët ishin si më poshtë:
– Të shtënat kishin për qëllim vetëm të trembnin demonstruesit, dhe në këtë rast do kishim vrasje nga pakujdesia;
– M.P. kishte qëlluar me qëllim ndalimin e sulmeve të demonstruesve dhe jo për të plagosur apo vrarë dikë por me ndërgjegje kishte lejuar ardhjen e këtyre pasojave, që do të thotë se në këtë rast kishin të bënim me veprën penale të vrasjes me dashje;
– M.P. kishte vënë në shenjë Carlo Giuliani; edhe në këtë rast do kishim të bënim me vrasje me dashje.
Sipas prokurorit, për sa evidencat e dosjes tregojnë, skenari i tretë duhej të përjashtohej.
73. Prokurori vlerësoi më tej se fakti që plumbi ishte përplasur me një gur nuk ishte në gjendje të prishte lidhjen shkakësore midis veprimeve të M.P. dhe vdekjes së Carlo Giuliani. Duke pasur parasysh këtë fakt, çështja ishte nëse M.P. kishte vepruar në vetëmbrojtje.
74. Ishte e provuar se integriteti fizik i banorëve në xhip kishte qenë nën kërcënim dhe se M.P. ishte "kundërpërgjigjur" ndaj rrezikut. Ky reagim duhej të shqyrtohej për sa i përket domosdoshmërisë së tij dhe proporcionalitetit, "aspekti i fundit ishte edhe më delikat".
75. Në këndvështrimin e prokurorit, M.P. nuk kishte pasur asnjë mundësi tjetër dhe nuk mund të mendohej të vepronte ndryshe, pasi "xhipi ishte i rrethuar nga demonstruesit dhe agresioni fizik kundrejt personave që ndodheshin brenda në të ishte evident dhe i dhunshëm". Ishte e justifikueshme që M.P. të perceptonte se jeta e tij ishte në rrezik. Arma ishte një mjet që mund t’i jepte fund sulmeve nga ana e demonstruesve dhe M.P. nuk mund të fajësohej për faktin që ishte mbajtës i saj. Nuk mund të pretendohej që ai të mos e përdorte armën e tij dhe të lejonte që integriteti i tij fizik të vihej në rrezik. Këto konsiderata justifikojnë një vendim për të pushuar çështjen.
2. Prapësimet e kërkuesve
76. Më 10 dhjetor 2002, kërkuesit depozituan prapësimet kundër kërkesës së prokurorit për të ndërprerë procesin. Ata argumentuan se, duke qenë se vetë prokurori kishte pranuar se hetimi kishte të meta dhe ngrinte pyetje të cilave nuk mund t’u përgjigjeshin me siguri, procedura me palë kundërshtare ishin thelbësore në mënyrë që të arrihej tek e vërteta. Sipas tyre, ishte e pamundur të pretendohej në të njëjtën kohë që M.P. kishte qëlluar në ajër dhe që kishte vepruar në vetëmbrojtje, për më tepër që ai kishte thënë se nuk kishte mund ta shihte Carlo Giuliani, kur kishte qëlluar.
77. Kërkuesit më tej u shprehën se teoria e objektit të ndërmjetëm, për të cilën ata dyshuan, ishte ngritur një vit pas ngjarjeve dhe ishte hipotetike dhe jo e mbështetur nga dëshmi objektive. Ekzistonin shpjegime të tjera të mundshme.
78. Kërkuesit gjithashtu vunë në dukje se, në bazë të provave në dosje, Carlo Giuliani kishte qenë ende gjallë pasi xhipi kishte kaluar mbi trupin e tij. Ata theksuan se raporti i autopsisë, i cili deklaronte se kalimi i xhipit mbi trupin e viktimës nuk kishte shkaktuar dëmtime të rëndësishme, ishte përshkruar nga ana e prokurorit publik si sipërfaqësor; ata gjithashtu kritikuan vendimin që u kishte besuar kryerjen e disa masave hetimore karabinierëve.
79. Më tej ata kërkuan që M.P. dhe FC të gjykoheshin. Në alternativë, kërkuan që masa të mëtejshme hetimore të ndërmerreshin, në mënyrë të veçantë:
(a) të përgatitej një raport mjeko-ligjor për të përcaktuar shkaqet dhe kohën e vdekjes së Carlo Giuliani, në mënyrë që të konstatohej nëse ai ishte ende gjallë kur xhipi kaloi mbi trupin e tij, dhe më pas;
(b) të merrej dëshmia e shefit të policisë, Z. De Gennaro, dhe nga karabinieri Zappia, lidhur me udhëzimet e dhëna për mbajtjen e armëve pranë kofshës;
(c) të identifikohej dhe gjurmohej personi i cili kishe hedhur gurin që mendohet të ketë ndryshuar trajektoren e plumbit;
(d) dëshmi të mëtejshme të merreshin nga demonstruesit që kishin arritur përpara;
(e) të dëgjohej dëshmia nga karabinieri V.M, i cili kishte raportuar praktikën e heqjes së majave të fishekëve (shih paragrafin 63 më sipër);
(f) të bëheshin ekspertiza balistike mbi të gjitha gëzhojat dhe armët e policive dhe karabinierëve në Piazza Alimonda në kohën e ngjarjeve.
3. Seanca përpara GIP
80. Seanca para GIP u zhvillua më 17 prill 2003. Kërkuesit pretendonin se plumbi fatal nuk ishte devijuar, por kishte goditur viktimën direkt. Megjithatë, ata pranuan se nuk kishte prova që M.P. kishte modifikuar plumbin për të rritur pasojat e tij; ajo ishte thjesht një teori.
81. Përfaqësuesi i organit të akuzës tha se ai kishte përshtypjen se "për pika të caktuara ai kishte besuar se kishin rënë dakord; në fakt, në të kundërt kundërshtim me këtë, kishte divergjenca mendimi". Ai theksoi se eksperti e kërkuesve, Z. Gentile, kishte pranuar faktin se plumbi ishte i dëmtuar para se të godiste Carlo Giuliani. Për më tepër, Z. Gentile kishte pranuar se një nga shkaqet e mundshme të dëmtimit të tij, ishte përplasja me ndonjë objekt apo defekte të ndërtimit të plumbit, dhe se shkaku i dytë kishte më pak gjasa të ndodhte sesa i pari.
E. Vendimi i GIP
82. Me anë të një vendimi të regjistruar më 5 maj 2003, GIP i Gjenovës pranoi kërkesën e prokurorit për pushimin e çështjes[1].
1. Përcaktimi i fakteve
83. GIP iu referua një regjistrimi anonim të ngjarjeve të dërguar nga një francez në një faqe interneti anarkiste (), të cilën ajo e konsideroi të besueshme duke pasur parasysh se përputhej me materialet audiovizuale dhe me deklaratat e dëshmitarëve. Regjistrimi në fjalë përshkruante situatën në Piazza Alimonda dhe sulmet e demonstruesve kundër karabinierëve. Sulmi ishte udhëhequr nga demonstruesit duke hedhur çdo gjë që u zinte dora, të ndjekur nga persona të tjerë që përdornin kontejnerë dhe kazanë mbeturinash si barrikada të lëvizshme. Atmosfera në shesh përshkruhej si "e tërbuar", ku forcat policore sulmoheshin nga një turmë e cila avanconte vazhdimisht, duke hedhur objekte dhe merrte menjëherë të tjera për t’i hedhur. Karabinierët, nga ana e tyre, ishin duke hedhur gaz lotsjellës, por një kontingjent u detyrua të tërhiqej përfundimisht drejt Piazza Alimonda, kur një nga dy xhipat që i shoqëronin ata u gjend i rrethuar nga demonstruesit. Këta të fundit, duke mbajtur shufra hekuri dhe objekte të tjera, filluan të godisnin xhipin, dhe dritarja e pasme u thye shpejt. Regjistruesi i videos mundi të dëgjonte dy të shtënat dhe të shihte dorën e një prej dy karabinierëve brenda xhipit, duke mbajtur një armë zjarri. Kur xhipi u largua dhe zhurma pushoi, ai e pa një djalosh me dëmtime të rënda në kokë shtrirë në tokë. Autori gjithashtu përshkroi zemërimin e disa demonstruesve kur mësuan se një demonstrues kishte vdekur.
84. GIP vërejti se përshkrimi nga ana e regjistruesit anonim i korrespondonte konkluzioneve të hetimit, sipas të cilave, rreth orës 15:00, një grup demonstruesish ishin mbledhur në Via Caffa në kryqëzimin me Via Tolemaide dhe po ngrinim barrikada duke përdorur kazanët e plehrave, karroca të supermarketeve dhe objekte të tjera. Nga prapa kësaj barrikade grupi i demonstruesve filluan të hidhnin gurë dhe objekteve të forta në drejtim të karabinierëve të cilët, duke qenë të pozicionuar fillimisht në Piazza Alimonda në cep të Via Caffa, filluan të ecnim përpara në përpjekje për të ndaluar demonstruesit, të cilit ndërkohë rriteshin në numër. Dy xhipat, ku në njërin prej të cilëve ndodheshin M.P., D.R. dhe F.C. , ky i fundit ishte drejtuesi i mjetit, u bashkuan me kontingjentin e karabinierëve; megjithatë, demonstruesit sulmuan dhunshëm, duke e detyruar kontingjentin të tërhiqej. Xhipat u tërhoqën drejt Piazza Alimonda, ku njëri prej tyre u përplas me një kazan mbeturinash. Në pak minuta, demonstruesit rrethuan automjetin dhe e godisnin atë duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion dhe hidhnin gurë mbi të. Siç tregohet edhe nga materiale audiovizuale në dosje, dritaret e xhipit u thyen me gurë, shufra hekuri dhe shkopinj. Sulmi i demonstruesit mbi xhip u përshkrua si "mbresëlënës". Disa gurë goditen karabinierët në fytyrë dhe në kokë dhe një demonstrues, Z. Monai, futi një binar të gjatë prej druri përmes një dritareje, që i shkaktoi D.R. mavijosje dhe gërvishtje në shpatullën e djathtë.
85. Një prej fotografive tregonte M.P. i cili i shtynte me këmbë një bombol zjarrfikëse për ta larguar, ky ishte me shumë mundësi objekti metalik që i kishte shkaktuar të nxirat e mëdha në këmbën e tij. Fotografitë e njëpasnjëshme tregonin një dorë që mbante një armë mbi rrotën rezervë të xhipit, ndërkohë që një djalë i ri (Carlo Giuliani) që kap një bombol zjarrfikës nga toka, sipas të gjitha gjasave, me synimin për ta hedhur atë në dritaren e pasme të xhipit. Në atë moment dy të shtëna erdhën nga brenda xhipit dhe i riu ra në tokë. Xhipi kaloi dy herë mbi trupin e tij dy herë para se arriti të largohej nga vendi i ngjarjes.
86. Të gjitha provat në dispozicion, duke përfshirë edhe dëshminë e M.P. më 20 korrik 2001 (shih paragrafët 34-36 më lart), tregonin se vdekja e Carlo Giuliani ishte shkaktuar nga një nga të shtënat me M.P. GIP citoi pothuajse tërësisht atë deklaratë, në të cilën M.P. shpjegonte gjendjen e tij të panikut, lëndimet që ai dhe D.R. kishin pësuar dhe faktin se në momentin kur ai drejtoi pistoletën nuk kishte parë askënd, por kishte qenë në dijeni të pranisë së sulmuesve për shkak të breshërive të vazhdueshme të gurëve. Ky versioni i dhënë prej tij përputhej me dëshmitë e dhëna nga D.R. dhe F.C. si dhe ato të personelit të forcave të tjera të armatosura dhe dëshmitarëve. Përveç kësaj, dosja tregonte se M.P. kishte të nxira dhe lëndimet në këmbën e tij të djathtë, krahun dhe në pjesën e sipërme të kafkës; DR kishte pasur gërvishtje në fytyrë dhe mavijosje në shpatulla dhe këmbë, ndërkohë që F.C. kishte shfaqur sindroma psikologjike post traumatike të shërueshme për pesëmbëdhjetë ditë (shih paragrafët 51-53 më lart).
2. Teoria e “Objektit të ndërmjetëm”
87. GIP vërejti se provat në dosjen e çështjes tregonin se plumbi i parë i qëlluar nga M.P. kishte vrarë Carlo Giuliani. Plumbi, gjatë daljes në lobin oksipital të kokës, kishte humbur një copëz të veshjes së tij, siç tregohet nga skanimi i kryer para autopsisë. Ky fakt, i kombinuara me karakteristikat e hyrjes dhe daljes së plagës së plumbit, i kishte çuar ekspertët e prokurorisë për të formuluar teorinë se plumbi ishte përplasur me një objekt para se të godiste Carlo Giuliani. Plaga e hyrjes kishte qenë shumë të parregullt në formë dhe plaga e daljes kishte qenë e vogël, siç ishte rasti kur një plumb e kishte humbur vrullin dhe / apo ishte copëzuar.
88. Plumbi në fjalë ishte një Parabellum 9 mm i mbështjellë, dhe si rrjedhojë shumë i fuqishëm. Ky fakt, së bashku me rezistencën e ulët të indeve të trupit përmes së cilave plumbi kaloi, vërteton teorinë e pretenduar nga ekspertët e prokurorisë. Për më tepër, një "pjesë e vogël plumbi", e njëjtë me atë të plumbave që kishte M.P., ishin gjetur në maskën e viktimës bashkë me grimca kockash. Kjo tregon se plumbi kishte humbur një pjesë të mbështjellës së tij para se të godiste kafkën.
89. E shtëna e simuluar kishte treguar se objekti i ndërmjetëm i cili i shkaktoi plumbit copëzimin nuk mund të ketë qenë as bombola zjarrfikëse që mbahej nga viktima dhe as një nga kockat nëpër të cilat kishte kaluar plumbi, por mund të ketë qenë një nga gurët e shumtë që hidheshin në xhip nga demonstruesit. Kjo dukej se konfirmohej edhe nga pamjet video që tregonin një gur të copëtuar në ajër në të njëjtën kohë, kur një e shtënë u dëgjua. Fakti që e zhurma e së shtënës dhe shkatërrimi i gurit kanë ndodhur njëkohësisht e bënte teorinë e kërkuesve se guri ishte shkatërruar nga përplasja me çatinë e xhipit, më pak bindëse. Për më tepër, copëza e metalit plumb e gjetur në maskën e viktimës kishte gjurmë të materialeve të ndërtimit. Së fundi, të shtëna provë kishin treguar se, kur objektet të përbëra nga materiale ndërtimi goditeshin nga një plumb, "shpërthenin" në mënyrë të ngjashme me atë që shihej në pamjet video dhe shkaktonin dëmtimin e veshjes së plumbit. Testet e kryera treguan se shpërbërja ndodhte ndryshe, kur objekte të tilla hidheshin kundër një automjeti (pluhuri prodhohej pas copëtimit dhe jo në të njëjtën kohë me të, dhe në sasi të vogla).
90. E shtëna e dytë e qëlluar nga M.P. kishte lënë një shenjë në murin e kishës në Piazza Alimonda (në një lartësi prej 5.3 metra). E shtëna e parë kishte goditur Carlo Giuliani. Testet e balistikës nuk kishin mundur të përcaktonin trajektoren origjinale të atij plumbi. Megjithatë, ekspertët e caktuar nga organet e prokurorisë kishin marrë parasysh faktin se xhipi ishte 1.96 metra i lartë dhe se guri që shihet në video ka qenë në një lartësi prej rreth 1.9 m kur imazhi është regjistruar. Ata kishin gjuajtur disa të shtëna provë për këtë arsye, duke e pozicionuar armën rreth 1.3 metra nga një gur i mbajtur pezull në një lartësi 1.9 metra mbi tokë: trajektorja e plumbit kishte marrë për poshtë dhe kishte goditur "koshin kolektor" (i cili gjendej 1.75 metra larg nga arma) në lartësitë midis 1.1 dhe 1.8 metra. Këto të dhëna përputheshin me dëshmitë e disa demonstruesve që kishin qenë dëshmitarë okularë të ngjarjeve, sipas të cilëve Carlo Giuliani ishte rreth dy metra larg nga xhipi kur ai u qëllua për vdekje. Ekspertët e autoritetit të ndjekjes penale nuk i kishin këto dëshmi në dispozicion të tyre në kohën që ata ishin duke kryer ekspertizën.
91. Informacioni i mësipërm tregon, siç edhe ekspertët e prokurorit kanë dalë në përfundim se, ishte qëlluar lart, mbi gjatësinë e Carlo Giuliani, i cili ishte 1.65 m i gjatë. Guri ishte shpërbërë në lartësinë 1.9 metra mbi tokë.
3. Këndi i vështrimi të M.P.
92. Këndi i vështrimit të M.P. ndoshta kishte qenë kufizuar nga rrota rezervë e xhipit. Megjithatë, ishte e vështirë të flitej me siguri në atë pikë pasi fytyra e M.P. nuk paraqitej në asnjë prej fotografive në dosje, ndërkohe që tregonin qartë dorën e tij që mbante armën. Fotografitë sugjeronin, megjithatë, se ai kishte qenë në pozicion gjysmë shtrirë (in posizione semidistesa) ose përkulur mbi gjunjë, siç është konfirmuar nga dëshmia e vetë M.P. dhe D.R. si edhe e demonstruesit Predonzani. Kjo çoi në përfundimin se M.P. nuk kishte qenë në gjendje për të parë personat afër derës së pasme të xhipit nën rrotën rezervë, dhe se ai kishte qëlluar me qëllimin për të trembur demonstruesit.
4. Cilësimi ligjor i veprimeve të M.P
93. Duke rindërtuar kështu faktet, GIP bëri cilësimin ligjor të veprimeve të M.P. Organi i akuzës kishte përcaktuar dy hipotezat lidhur me këtë gjë (shih paragrafin 72 më lart): (a) se M.P. kishte qëlluar sa më lart të ishte e mundur në ajër me të vetmin qëllim të frikësimit të sulmuesve të xhipit, dhe në një rast të tillë ai do akuzohej për vrasje nga pakujdesia (omicidio colposo), (b) se M.P. kishte qëlluar pa marrë në shenjë askënd dhe asgjë, me qëllim ndalimin e sulmit, dhe në një rast të tillë ai do akuzohej për vrasje me dashje për shkak të "sjellje e pamatur", pasi ai kishte pranuar rrezikun që demonstruesit mund të goditeshin.
94. GIP konkludoi se hipoteza e parë e ngritur nga prokurori nuk ishte e saktë. Nëse M.P. do kishte qëlluar sa më lart të ishte e mundur në ajër veprimet e tij nuk do të kishin qenë të dënueshme, në bazë të nenit 53 të Kodit Penal ("KP"), dhe nuk do kishte lidhje shkakësore për shkak të faktorëve të paparashikuar jashtë kontrollit të tij, konkretisht përplasja e plumbit me një objekt të ndërmjetëm
95. Nëse, nga ana tjetër, hipoteza e dytë e ngritur nga autoritetet e ndjekjes penale pranohej, duhej të përcaktohej nëse ekzistonin baza për justifikimin e veprimeve të M.P. (përdorimi legjitim i armëve dhe/ose vetëmbrojtja, sipas neneve 53 dhe 52 të KP - shih paragrafët 142-144 më poshtë), që e përjashtonin atë nga përgjegjësia penale dhe t’i bënin veprimet e tij të padënueshme.
5. Nëse M.P. ishte brenda kufijve të përdorimin legjitim të armës së tij (neni 53 i KP)
96. GIP së pari trajtoi çështjen nëse përdorimi i armës kishte qenë i nevojshëm. Sipas nenit 53 të KP (shih paragrafin 143 më poshtë), agjentët e Shtetit kishin kompetenca më të gjera se sa individët e zakonshëm në kuadër të vetë-mbrojtjes; në këtë rast nuk kërkohej që reagimi të ishte në proporcion me kërcënimin, por përdorimi i armës duhet të kishte qenë "i nevojshëm". Edhe për agjentët e Shtetit, përdorimi i armës ishte një masë e fundit (extrema ratio), megjithatë, agjentët e Shtetit nuk ishin përgjegjës për ndodhi më të rënda se ato të parashikuara prej tyre, pasi ky ishte risku i përdorimit të armëve të zjarrit. Në terma të përgjithshëm, neni 53 i KP lejonte përdorimin e forcës, kur ajo ishte e nevojshme për të sprapsur dhunën ose për të penguar një përpjekje për rezistencë ndaj autoritetit zyrtar.
97. M.P. ndodhej në një situatë të dhunës ekstreme e projektuar për të prishur rendin publik dhe që kishte si shënjestër karabinierët, siguria e të cilëve kërcënohej drejtpërdrejt. Në lidhje me këtë GIP citoi pjesë nga dëshmitë e dy sulmuesve të xhipit (Z. Monai dhe Z. Predonzani), duke vënë në dukje edhe një herë karakterin e dhunshëm të sulmit, dhe duke iu referuar fotografive në dosje. Sjellja e viktimës nuk kishte qenë një akt i izoluar agresioni, por një fazë e një sulmi të dhunshëm në xhip nga disa persona, të cilët sulmonin anët e tij dhe ndoshta duke u përpjekur për të hapur derën e pasme.
98. Provat në dosje e përjashtojnë mundësinë që M.P. të kishte marrë në shenjë qëllimisht Carlo Giuliani, megjithatë, edhe duke supozuar të kundërtën, në rrethanat e veçanta të rastit, sjellja e tij justifikohej në bazë të nenit 53 të KP, pasi ishte e ligjshme të hapej zjarr në drejtim të sulmuesve për të ndalur një sulm duke u përpjekur të kufizohej dëmi, për shembull duke shmangur dëmtimin e organeve vitale. Si përfundim, përdorimi i armës së zjarrit ishte i justifikuar dhe kishte pasur të ngjarë që të mos shkaktonte asnjë dëm serioz, duke qenë se M.P. kishte "qëlluar lart me siguri" dhe se plumbi kishte goditur Carlo Giuliani vetëm sepse trajektorja e tij kishte ndryshuar për shkaqe të paparashikuara.
6. Nëse M.P. ka vepruar në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme
99. GIP më tej e konsideroi të nevojshme për të përcaktuar nëse M.P. kishte vepruar në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme, e cila kërkonte një “analizë më strikte” për të përbërë arsye për përjashtim nga përgjegjësia. Ai mbajti qëndrimin se M.P. kishte të drejtë të perceptonte një kërcënim për integritetin fizik të tij dhe të kolegëve të tij, dhe se kërcënimi kishte vazhduar si sulm i dhunshëm kundrejt xhipit nga një turmë e demonstruesve dhe jo vetëm nga Carlo Giuliani. Në mënyrë që të vlerësohet në kontekstin e duhur, kundërpërgjigja e M.P. duhej vlerësuar në lidhje me këtë sulm. GIP e hodhi poshtë hipotezën e ngritur nga familjarët e viktimës se plagët e M.P. në kokë ishin shkaktuar nga një levë e brendshme të fenerit të vendosur mbi çatinë e xhip dhe jo nga gurët e hedhur nga demonstruesit.
100. Kundërpërgjigja e M.P. kishte qenë e nevojshme duke pasur parasysh numrin e sulmuesve, mjetet e përdorura, natyrën e vazhdueshme të dhunës, lëndimet e karabinierëve në xhip dhe vështirësinë e automjetit për t’u larguar nga sheshi, pasi motori kishte ngecur. Kundërpërgjigja ishte e përshtatshme duke pasur parasysh nivelin e dhunës.
101. Sikur M.P. të mos kishte nxjerrë armën e tij dhe të qëllonte dy herë, sulmi do të kishte vazhduar. Nëse bombola zjarrfikëse – të cilën M.P. e kishte larguar një herë – do kishte goditur xhipin, do kishte shkaktuar lëndime serioze, ose më keq, për personat që ndodheshin në xhip. Sa i përket proporcionalitetit ndërmjet sulmit dhe kundër përgjigjes, Gjykata e Kasacionit kishte mbajtur që interesat e kërcënuara duheshin peshuar kundrejt mjetet në dispozicion për të akuzuarin, dhe se vetë-mbrojtja justifikohej edhe nëse dëmi i shkaktuar të sulmuesit ishte pak më i madh se dëmi që i kërcënohej të akuzuarit (shih vendimin nr. 08.204 të 13 prill 1987 të Gjykatës së Kasacionit, Seksioni i parë, Catania). Për më tepër, përgjigja duhej të ishte mjeti i vetëm në ato rrethana, në kuptimin që përgjigjet të tjera më pak të dëmshme kundrejt sulmuesve nuk do mund të prapësonin rrezikun (shih vendimi nr. 02.554 e 1 dhjetor 1995 i Gjykatës së Kasacionit, Seksioni i parë, P.M. dhe Vellino). Kur arma e zjarrit ishte mjeti i vetëm i mbrojtjes në dispozicion të personit nën sulm, përdorimi i saj duhet të kufizohet në demonstrimin e vendosmërisë së personit për ta përdorur atë, duke qëlluar në ajër apo në tokë ose duke qëlluar në drejtim të sulmuesit por duke u kujdesur të mos qëlloj organet vitale, në mënyrë që t’i shkaktojë lëndime, por jo vdekjen (shih vendimin e Gjykatës së Kasacionit të 20 shtator 1982, Tosani).
102. Në rastin konkret M.P. kishte vetëm një mjet t’iu përgjigjur sulmit: armën e tij të zjarrit. Ai e kishte bërë përdorur atë në mënyre proporcional, duke qenë se para se të qëllonte ai u kishte thirrur demonstruesve të largoheshin, në përpjekje për t’i ndaluar ata; ai më pas kishte qëlluar lart dhe plumbi kishte goditur viktimën si pasojë e një kthese tragjike fati (per una tragica fatalità). Nëse ai realisht do dëshironte të qëllonte mbi sulmuesit jetë i sigurt, ai do të kishte gjuajtur nëpërmjet dritareve anësore të xhip, pranë së cilit shumë demonstrues ishin mbledhur. Pra GIP vërejti se ai kishte vepruar brenda kufijve të mbrojtjes së nevojshme. Duke qenë kështu, ishte me pak rëndësi nëse M.P. kishte një pamje të pjesshme të Carlo Giuliani (siç ekspertët e kërkuesve pretendonin dhe ekspertët e autoriteteve të ndjekjes penale e konsideronin të mundshme) apo nëse, siç dukej më shumë gjasa, ai nuk e kishte parë atë dhe kishte gjuajtur lartë në ajër, për aq sa pozicioni i tij do ta lejonte, duke pranuar rrezikun që mund të shtënat mund të godisnin dikë.
7. Akuzat kundër F.C.
103. GIP vërejti gjithashtu se, provat në dosjen përjashtonin F.C. nga përgjegjësi penale, duke qenë se, siç tregohet nga ekspertët mjeko-ligjorë, vdekja e Carlo Giuliani ishte shkaktuar padyshim brenda disa minutave nga e shtënë me pistoletë. Kalimi i xhipit mbi trupin e viktimës kishte shkaktuar vetëm nxirje. Në çdo rast, për shkak të situatës konfuze rreth xhipit, F.C. nuk kishte mundur të shikonte Carlo Giuliani që kishte rënë në tokë.
8. Refuzimi i kërkesës së kërkuesve për vazhdimi të mëtejshëm të hetimeve
104. GIP refuzoi të gjitha kërkesat e kërkuesve për marrjen e masave të mëtejshme hetimore (shih paragrafin 79 më lart). Arsyet për refuzimin mund të përmblidhen si më poshtë:
(a) në lidhje me kërkesën për një raport mjekoligjor me qëllim përcaktimin nëse Carlo Giuliani kishte qenë ende gjallë kur xhipi kaloi mbi trupin e tij (shih paragrafin 79 (a) më sipër), ekspertiza e kryer tashmë kishte qenë e plotë; për më tepër, palëve të dëmtuara u ishte ofruar mundësia e emërimit të një eksperti të zgjedhur prej tyre për të marrë pjesë në autopsinë, por ata nuk e kishin shfrytëzuar këtë mundësi. Përveç kësaj, trupi i viktimës ishte djegur thuajse tre ditë pas vdekjes së tij, duke bërë çdo ekzaminim të mëvonshëm të pamundur;
(b) për sa i përket kërkesës për dëgjimin e shefit të policisë De Gennaro dhe Marshallin Zappia për të mësuar udhëzimet në lidhje me mbajtjen e armës pranë kofshës, në të njëjtën mënyre që kish vepruar M.P. dhe ligjshmërinë e tyre (shih paragrafin 79 (b) më sipër), ishte e qartë se direktivat e lëshuara me qëllim ruajtjen e rendit publik mund të jenë vetëm të natyrës së përgjithshme dhe nuk përfshinin udhëzime që vlejnë për situata të paparashikueshme, përfshirë këtu sulmet direkte mbi oficerët. Për më tepër, mënyra sesi M.P. e mbante pistoletën e tij nuk kishte asnjë rëndësi në rastin në fjalë, duke qenë se ai mund të përdorte armën e tij, pavarësisht se ku e mbante deh se nga ku ai e tërhoqi atë;
(c) çdo përpjekje për të identifikuar personin që e kishte hedhur gurin i cili kishte ndryshuar trajektoren e plumbit (shih paragrafin 79 (c) më sipër) ishte e detyruar të dështonte, pasi nuk ishte realiste të imagjinohej që një demonstrues do të kishte ndjekur trajektoren e gurit pasi e kishte hedhur atë. Në çdo rast, do të ishte e pamundur për të identifikuar personin në fjale dhe dëshmia e tij nuk do të kishte asnjë ndikim në rezultatet teknike në posedim të gjyqtarit;
(d) nuk do t’i shërbente asnjë qëllimi marrja e dëshmive të mëtejshme prej demonstruesve Monai dhe Predonzani në lidhje me sjelljen e karabinierëve brenda xhip, numrit të demonstruesve në afërsi të automjetit, personit brenda xhipit që i kishin konfiskuar në fakt armën, pozicionin e Carlo Giuliani apo numri i dritareve të xhipit që ishin thyer (shih paragrafin 79 (d) më sipër). Këto dëshmitarë i kishin dhënë dëshmitë e tyre në një kohë shume të shkurtër pas ngjarjeve, ndërsa ato ishin akoma të freska në mendjet e tyre; dëshmitë përmbanin detaje tejet të sakta të cilat konfirmoheshin nga pamjet video dhe fotografitë në dosje. Së fundi, nuk ishte e rëndësishme të gjendej se sa nga dritaret e xhipit ishin thyer pasi ishte më se e ditur se disa nga dritaret e anës së djathte dhe dritarja e pasme ishin thyer;
(e) ishte e panevojshme për të marrë dëshmi nga Z. D’Auria, gjoja për të konfirmuar se nuk ishin hedhur kokteje Molotov në Piazza Alimonda, në kundërshtim me pohimin e M.P., ose për të përcaktuar se sa larg, Z. D’Auria kishte qenë kur ai mori fotografinë që ekspertët e autoritetet të prokurorisë “kishte përdorur si bazë për rindërtimin balistikë”. Fotografia në fjalë kishte qenë thjesht një pikënisje për përcaktimin e pozitës së Carlo Giuliani, e cila ishte përcaktuar nga pozicioni e personave në lidhje me elementet fikse në shesh. Për më tepër, M.P. kurrë nuk pohoi se ishin hedhur kokteje Molotov në Piazza Alimonda, por ai thjesht kishte shprehur friken qe kisha pasur se mos hidheshin ato;
(f) në lidhje me kërkesën për të dëgjuar dëshminë nga Rreshter Major-Primavera se kur dritarja e pasme e xhipit ishte shkatërruar, fotografitë tregonin qartë se kjo kishte ndodhur para se të qëllohej dhe se kjo e fundit nuk kishte qenë shkaku i thyerjes së xhamave të dritares; edhe nëse dëshmitari, dëshminë e të cilit kërkuesit kërkonin të mërej, e perceptonte çështjen ndryshe, kjo nuk do të ndryshonte ato përfundime;
(g) videoja e regjistruar në Piazza Alimonda nga dy karabinierët, kaskat e të cilëve ishin të pajisur me video kamera ishin tashmë në dosjen;
(h) nuk përfitohej asgjë nga marrja e dëshmisë e karabinierit V.M në lidhje me praktikën e prerjes së majave të fishekëve (shih paragrafin 79 (e) më sipër). Vetëm mund të supozohet se kjo praktikë e gabuar nuk ishte i përhapur; në çdo rast, gjetjet e ekspertizave balistike, në bazë të testeve objektive, ishin tashmë në dispozicion. Nuk kishte asnjë tregues se M.P. kishte bërë modifikimin në fjalë, marrë pasur parasysh se edhe plumbat e tjerë të gjetur në karikatorin e pistoletës së tij ishin krejtësisht normal;
(i) nuk kishte diskutim lidhur me faktin se dëmtimet e xhipit ishin shkaktuar nga gurë dhe objekte të tjera të forta që ishin gjuajtur ndaj tij; rrjedhimisht ishte i panevojshëm një inspektim teknik i automjetit;
(j) ekspertizat balistike mbi gëzhojat e gjetura, në mënyrë që të përcaktohej se nga kush armë kishin dalë (shih paragrafin 79 (f) më sipër), nuk do t’i "shërbenin asnjë qëllimi aktual", pasi nuk kishte asnjë dyshim se plumbi fatale ishte qëlluar nga arma e M.P; kjo ishte konfirmuar nga deklaratat e M.P. dhe rezultatet e ekzaminimeve mjeko-ligjore.
9. Vendimi për të deleguar disa veprime hetimore tek karabinierët
105. GIP i hodhi poshtë kritikat e bëra nga avokatët e kërkuesve se kishte qenë e papërshtatshme delegimi i disa aspekte të hetimit karabinierëve dhe marrja e dëshmive nga një numër i madh dëshmitarësh në praninë e karabinierëve. Gjyqtari vërejti që ngjarjet në Piazza Alimonda ishin rindërtuar me ndihmën e një volumi të madh videosh dhe materiale fotografike dhe dëshmitë e vetë pjesëmarrësve në ngjarje, dhe se ishin konsideruar të gjithë skenarët e mundshëm.
106. Në dritën e të gjitha konsideratave të mësipërme GIP i Gjenovës vendosi se procesi duhet të ndërpritej.
F. Hetimi parlamentar
107. Më 2 gusht 2001 Kryetarët e Senatit dhe Dhomës së Deputetëve vendosen të kryhej një hetim (indagine conoscitiva) për ngjarjet që ndodhën gjatë G8 në Gjenovë nga komitetet e çështjeve kushtetuese të të dyja dhomave të Parlamentit. Për këtë qëllim, u krijua një komision që përfaqësonte grupet e ndryshme parlamentare, i përbërë nga tetëmbëdhjetë anëtarë të Parlamentit dhe të njëjtin numër senatorësh ("komisioni parlamentar").
108. Më 8 gusht 2001 komisioni parlamentar dëgjoi dëshminë e Komandantit të Përgjithshëm të karabinierëve. Ky i fundit deklaroi, në veçanti, se 4673 trupa shtesë dhe 375 karabinierë të specializuar ishin caktuar në Gjenovë për të ndihmuar 1200 pjesëtarët e komandës të provincës. Vetëm 27% e trupave të pranishëm në Gjenovë kishin qenë ndihmës karabinierë të cilët po kryenin shërbimin ushtarak (për operacionet e ruajtjes së rendit publik kjo shifër ishte zakonisht 70%). Shumica e ndihmës karabinierëve kishin kryer nëntë apo dhjetë muaj shërbim dhe kishin marrë pjesë edhe më përpara në situata të ngjashme. Që prej prillit 2001 i gjithë personeli që do të vendosej në Gjenovë kishte marrë trajnim në operacionet e ruajtjes së rendit publik dhe përdorimin e pajisjeve standarde. Ata kryenin ushtrimet në grup dhe seminare, ku këto të fundit lidheshin me identifikimin e kërcënimeve të mundshme dhe hartën e qytetit. Të gjithë ata që ishin vendosur në Gjenovë kishin kaska mbrojtëse, mburoja, shkopinj gome, maska gazi dhe kostume rezistente ndaj zjarrit me mbrojtje për pjesët më të ekspozuara të trupit. Çdo karabinier kishte një pistoletë (pistola d’ordinanza) dhe granata të shumta lotsjellëse u ishin shpërndarë togave; kishte gjithashtu edhe 100 automjete të blinduara dhe 226 automjete të pajisura me rrjeta metalike mbrojtëse, përveç automjeteve të veçanta (për shembull, automjetet pajisur me pengesa të lëvizshme për të përforcuar barrierat mbrojtëse fikse në zonën e kuqe).
109. Sipas një memorandumi nga komanda e lartë e karabinierëve, një forcë elite (aliquota scelta) prej 928 personash i ishte nënshtruar një programi trajnimit në Velletri përpara samitit të G8, që mbulonte teori (psikologjia e turmave dhe grupeve opozitare, teknikat e rendit publik, trajtimi i emergjencave) dhe praktikë (aktivitet fizik, përdorimi i burimeve, materialeve dhe pajisjeve, stërvitje finale të vijuar nga bërje konkluzionesh). Trupat e tjera kishin marrë trajnim tri ditor në teknikat e ruajtjes së rendit publik. Dyzet e tetë oficerë kishin marrë pjesë në një seminar informativ që mbulon tema të tilla si harta e qytetit të Gjenovës.
110. Më 5 shtator 2001 Komisioni Parlamentar dëgjoi dëshmi nga Z. Lauro, një oficer i policisë së Romës i cili kishte marrë pjesë në operacionet e ruajtjes së rendit publik në Gjenovë (shih paragrafin 34 më lart).
111. Z. Lauro deklaroi se karabinierët ishin të pajisur me altoparlantë, duke bërë të mundur komunikonin shumë shpejt ndërmjet tyre. Kur u pyetën për të shpjeguar përse forcat policore të vendosura mjaft afër xhipit (pesëmbëdhjetë deri njëzet metra larg) nuk kishin ndërhyrë, Z. Lauro u përgjigj se ata kishin qenë në detyrë që në mëngjes dhe ishin përfshirë në disa përleshje gjatë ditës. Ai shtoi se ai nuk e kishte vënë re në kohën e ngjarjeve që kishte pasur një grup karabinierësh dhe oficerë policie që mund të kishin ndërhyrë.
112. Lidhur me dy xhipat, Z. Lauro shpjegoi se ata kishin çuar furnizime të reja rreth orës 16:00 dhe ishin larguar e më pas ishin kthyer sërish rreth një orë më vonë për të parë nëse dikush ishte plagosur. Z. Lauro gjithashtu tha se ai kishte thirrur një ambulancë për Carlo Giuliani pasi asnjë mjek nuk ishte i pranishëm në vendngjarje.
113. Më 20 shtator 2001 Komisioni parlamentar paraqiti në një raport përfundimet e shumicës së anëtarëve të tij pas hetimit. Raporti merrej me organizimin e G8 në Gjenovë, kontekstin politik dhe lëvizjen protestuese lidhur me takimin dhe ngjarje të ngjashme në mbarë botën, si dhe përplasjet e shumta që kishin ndodhur ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve dhe shoqatave që përbënin Forumin Social të Gjenovës, me qëllim parandalimin e prishjes së rendit publik dhe duke marrë masat për pritjen e demonstruesve. Pavarësisht atij dialogu, lëvizja protestuese nuk kishte sukses në izolimin e elementeve të dhunshëm, duke numëruar "rreth 10 000"; midis këtyre të fundit, një dallim duhej bërë ndërmjet Bllokut të Zi dhe personave "oportunistë" të cilët ishin fshehur në turmë.
114. Tetëmbëdhjetë mijë forca policore kishin marrë pjesë në operacion. Kishte rreth 2000 delegatë dhe 4750 gazetarë të akredituar; numri i demonstruesve llogaritej në dhjetëra mijëra (100 000 kishin marrë pjesë në protestën përfundimtare). Seminare për koordinimin dhe trajnimin e forcave policore (me kontributet nga trajnues nga policia e Los Anxheelos) ishin mbajtur më 24 prill dhe 18 e 19 qershor 2001. Organeve të zbatimit të ligjit në fjalë u ishin organizuar ushtrime praktike, edhe pse pas një vonese të konsiderueshme. Autoritetet administrative kishin kryer hulumtime për municionet jo-vdekjeprurëse (duke përfshirë plumba gome), në veçanti me anë të vizitave studimore në forcat e huaja policore. Autoritetet ishin informuar se demonstruesit e Bllokut të Zi nga qarqet anarkiste në Itali dhe jashtë saj kishin të ngjarë të udhëtonin për në Gjenovë. Pas kontakteve me forcat policore në vende të tjera, ishte marrë një vendim për të pezulluar zbatimin e Marrëveshjeve të Shengenit midis 13 dhe 21 korrik 2001. Nga 14 korriku e në vazhdim ishin kryer kontrolle në kufijtë italianë për të lejuar demonstrues të caktuara për të hyrë në vend dhe për të ndaluar hyrjen e elementeve të dhunshëm. Ndërkohë, me një urdhër të datës 12 korrik 2001, kuestori i Gjenovës kishte treguar zonat e qytetit ku samiti dhe demonstratat do të zhvilloheshin dhe kishte dhënë një paraqitje analitike të masave të sigurisë në vend në çdo zonë.
115. Komisioni parlamentar më pas shqyrtoi incidentet e dhunshme dhe përplasjet e ndryshme të cilat kishin ndodhur ndërmjet forcave të zbatimit të ligjit dhe demonstruesve më 19, 20 dhe 21 korrik 2001 (në veçanti gjatë një kontrolli të kryer në një shkollë, që u përshkrua nga komisioni si "ndoshta shembulli më i dukshëm i dështimeve organizative dhe operative"). Me referencë të veçantë në vdekjen e Carlo Giuliani, komisioni vërejti se një karabinier kishte qëlluar të shtënën fatale, ndërsa viktima ishte duke u përgatitur për të hedhur një bombol zjarrfikëse në drejtim të tij; karabinieri në fjalë kishte pësuar më parë një goditje në kokë nga një tjetër demonstrues. Duke qenë se një hetim penal ishte në zhvillim e sipër, komisioni vendosi të përqendrohet në analizën e tij në "situatën e përgjithshme që shkaktoi tragjedinë", duke shqyrtuar në veçanti sistemin e komunikimit ndërmjet kontingjenteve të forcave policore, komandantëve të tyre dhe qendrave operative, për të parë masat koordinuese ndërmjet zonave të ndryshme. Komisioni gjithashtu vuri në dukje se "shkaku themelor" i humbjes së një jete kishte qenë "dhuna e pamenduar ushtruar nga grupe ekstremiste të cilat kishin vënë në rrezik jetën e të riut, i cili u përfshi në aktivitetet e tyre kriminale".
116. Sipas mendimit të komisionit, rezultati i përgjithshëm i G8 kishte qenë pozitiv. Ndërsa mangësi të caktuara ishin identifikuar në koordinimin e operacioneve, duhej të kihej parasysh se forcat e zbatimit të ligjit ishin konfrontuar me 6000 deri 9000 persona të dhunshëm që nuk ishte izoluar nga demonstruesit paqësorë (komisioni përmendi këtu "lojën e dyfishtë", të luajtur nga Forumi Social i Gjenovës). Komisioni Parlamentar në raportin e tij arriti në përfundimin si më poshtë:
“Komisioni... përsërit se dhuna nuk është dhe nuk duhet të jetë mjet politik dhe se shteti i së drejtës është një vlerë themelore e shoqërive demokratike. Në të njëjtën kohë ai thekson me forcë paprekshmërinë e parimeve kushtetuese të lirisë së çdokujt për të shprehur mendimet e tij dhe respektin për individin edhe - për të mos thënë në veçanti - ku ai mbahen nën arrest, si dhe nevojën për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe rendin publik; nëse janë kryer akte që përbëjnë një vepër penale ose administrative, komisioni kërkon nga autoritetin gjyqësor dhe organet administrative në fjalë të identifikohen personat përgjegjës dhe të ndëshkohen veprimet e tyre.”
117. Qeveria paraqiti para Gjykatës fjalë për fjalë të dhënat e seancave në të cilat komisioni parlamentar kishte dëgjuar dëshmi nga Ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Sigurisë Publike dhe Komandanti i Përgjithshëm i Policisë Financiare.
118. Më 20 shtator 2001 një grup parlamentarësh i bëri thirrje qeverisë që të shpjegonte përse forcat e zbatimit të ligjit të përfshira në operacione të rendit publik ishin të pajisura me municione të vërteta dhe jo me plumba gome. Parlamentarët mbështetën përdorimin e këtyre të fundit, duke argumentuar se ato ishin përdorur me sukses në disa raste në vende të tjera.
119. Zëdhënësi i Qeverisë tha se legjislacioni nuk e parashikonte atë opsion dhe që, për më tepër, nuk ishte provuar se plumbat e gomës nuk shkaktonin dëm serioz ndaj viktimës. Së fundi, ai tha se mundësia e futjes së armëve jo-vdekjeprurëse ishte duke u shqyrtuar.
120. Më 22 qershor 2006, kërkuesit i kërkuan Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Mbrojtjes kompensim në lidhje me dëmin që u ishte shkaktuar si rezultat i vdekjes së Carlo Giuliani. Qeveria shpjegoi se kërkesa ishte refuzuar me arsyetimin se ishte vendosur gjatë procesit penal se M.P. kishte vepruar në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Për të njëjtën arsye, nuk kishte pasur procedura disiplinore M.P.
G. Vendimi i dhënë në “gjyqin e të njëzet e pesëve”
1. Gjykimi në shkallë të parë
121. Më 13 mars 2008 Gjykata e Rrethit të Gjenovës publikoi arsyetimin e saj të vendimit të 14 dhjetorit 2007, pas gjykimit të njëzet e pesë demonstruesve të akuzuar me një numër veprash penale të kryera më 20 korrik 2001 (duke përfshirë dëme penale, vjedhje, shkatërrim të pronës grabitje dhe akte dhune kundër forcave të zbatimit të ligjit). Gjatë procesit prej 144 seancash, Gjykata e Rrethit, ndër të tjera, dëgjoi dëshmi nga dëshmitarë të shumtë dhe shqyrtoi materialet e shumta audiovizuale.
122. Gjykata e Rrethit vendosi, inter alia, se sulmi i karabinierëve ndaj marshuesve të Tute Bianche kishte qenë i paligjshëm dhe arbitrar. Marshimi kishte qenë i autorizuar dhe demonstruesit nuk kishin kryer ndonjë akt të rëndësishëm dhune kundër karabinierëve. Sulmi i këtyre të fundit kishte nisur ndaj qindra personash të cilët ishin duke protestuar paqësisht, dhe nuk ishte dhënë asnjë urdhër për shpërndarjen e tyre. Sulmi i mëvonshëm kishte qenë gjithashtu i paligjshëm dhe arbitrar. Nuk ishte bërë një paralajmërim paraprak për t’u shpërndarë, nuk ishte urdhëruar nga një zyrtar i autorizuar për të dhënë një urdhër të tillë këtë dhe kishte qenë i panevojshëm.
123. Metodat e përdorura kishin qenë edhe të paligjshme. Karabinierët kishin hedhur granata me gaz lotsjellës në lartësinë e gjoksit, një numër i madh i demonstruesve kishte pësuar lëndime të shkaktuara nga shkopinj gome të parregullt, dhe automjetet e blinduara i kishin rrëzuar barrikadat dhe kishin ndjekur anëtarët e turmës përgjatë rrugës me qëllim të qartë për t’u shkaktuar lëndime.
124. Natyra e paligjshme dhe arbitrare e veprimeve të karabinierëve justifikonte rezistencën e treguar nga ana e demonstruesve kur kishin hedhur gaz lotsjellës, dhe sulmuar turmën që marshonte. Rezistenca e tyre gjithashtu justifikohej gjatë përleshjeve që ndodhën në rrugë anësore para orës 15.30, që ishte, kur karabinierët kishte tentuar të ndalonin dhe të mos lejonin vazhdimin e marshimin. Sipas gjykatës, veprimet e të akuzuarve kishin qenë një "përgjigje të nevojshme" për veprimet arbitrare të organeve të zbatimit të ligjit për qëllimet e nenit 4 të Dekretit Legjislativ nr. 288 të vitit 1944. Neni 4 lexon si më poshtë:
“Nenet 336, 337, 338, 339, 341, 342 dhe 343 të Kodit Penal [të cilat dënojnë akte të ndryshme të rezistencës ndaj organeve të zbatimit të ligjit] nuk zbatohen kur agjenti shtetëror ose personi i autorizuar për të ushtruar autoritet publik ka kryer vepër penale të parashikuar në ato nene nga tejkalimi të autoritetit të përmes veprimeve arbitrare.”
125. Gjykata e Rrethit vendosi t’ia dërgojë dosjen prokurorisë, me arsyetimin se dëshmitë e dhëna nga Z. Mondelli dhe dy oficerë të tjerë (këta kishin deklaruar se sulmi i tyre kishte qenë i nevojshëm për t’iu kundërvënë agresionit të treguar nga demonstruesit) nuk përputheshin me faktet.
126. Pas orës 15.30, edhe pse demonstruesit mund të kishin ndjerë një ndjenjë abuzimi dhe padrejtësie, sjellja e tyre nuk kishte më qenë mbrojtëse, por ishte shtyrë nga një dëshirë për hakmarrje; rrjedhimisht ishte e pajustifikueshme dhe e dënueshme.
127. Urdhrat e oficerit të policisë Lauro, të cilat kishin çuar në shpërthimin e ngjarjeve në Piazza Alimonda, nuk kishin qenë as të paligjshme dhe as arbitrare. Si rezultat i kësaj, reagimi i dhunshëm i demonstruesve, të cilët u ishin vënë pas karabinierë dhe kishin sulmuar xhipin, nuk mund të konsiderohen si një përgjigje mbrojtëse.
128. Karabinierët në xhip mund të kenë pasur frikën e ndëshkimit nga demonstruesit. Fakti se demonstruesit përreth tyre nuk kishin hedhur kokteje Molotov dhe rrjedhimisht nuk mund t’i vendosnin zjarrin mjetit ishte një faktor që duhej vlerësuar në retrospektive. Personat në xhip nuk mund të fajësohen për faktin se ishin në gjendje paniku.
129. Carlo Giuliani kishte qenë ndoshta katër metra larg nga xhipi, kur u qëllua. M.P. kishte deklaruar se ai vetëm mund të shihte se çfarë po ndodhte brenda automjetit. Kur qëlloi, ai kishte qenë me këmbët e tij të shtrira duke marrë në shenjë në drejtim të derës së pasme të automjetit. Ai kishte tërhequr D.R. poshtë, sipër tij dhe nuk mund të shihte as dorën e tij; ai nuk ishte në gjendje të thoshte nëse dora kishte qenë brenda apo jashtë xhipit. Në çdo rast, ai kishte qëlluar lart.
130. Në vendimin e Gjykatës së Rrethit përmenden deklaratat e bëra nga eksperti Marco Salvi, i cili ka kryer autopsinë e Carlo Giuliani. Z. Salvi kishte deklaruar në veçanti se trajektorja e plumbit fatal tregonte një të shtënë të drejtpërdrejtë dhe që copëza metalike në trupin e viktimës kishte qenë shumë e vështirë për t’u gjetur. Copëza, që kishte dalë gjatë skanimit (shih paragrafin 60 më lart), "duhet të ketë qenë shumë e vogël"; ekspertët ishin përpjekur për ta gjetur atë duke kërkuar pjesë më pjesë (per piani), në masën e trurit edhe pse ky i fundit ishte dëmtuar dhe kullonte gjak. Sa më shumë ekspertët punonin me të, aq më shumë dëmtohej ai. Duke qenë se copëza e gjetur prej metali nuk ishte plumb dhe ishte e padobishme për qëllime balistike, ekspertët e kishin konsideruar një detaj të vogël (un particolare irrilevante) dhe nuk i kishin vazhduar më tej kërkimet e tyre.
2. Gjykimi në Apel
131. Njëzet e katër nga të akuzuarit apeluan kundër vendimit të shkallës së parë. Në vendimin e 9 tetorit 2009, të regjistruar më 23 dhjetor 2009, Gjykata e Apelit të Gjenovës la pjesërisht në fuqi dënimet e dhëna nga Gjykata e Rrethit, rriti masën e disa prej dënimeve dhe deklaroi ndjekjen e disa prej veprave të parashkruar.
132. Lidhur me sulmin e karabinierëve ndaj marshimit Tute Bianche, Gjykata e Apelit kryesisht aprovoi qëndrimin e Gjykatës së Rrethit. Ajo vërejti se karabinierët kishin hasur marshimin e demonstruesve, i cili numëronte rreth 10 000 persona, pasi rruga që ata ndiqnin u ishte udhëzuar nga qendra operative. Ishin rreth njëzet persona në krye të marshimit, ose ndryshe "grupi i kontaktit", kryesisht anëtarë të Parlamentit, kryetarë bashkish, personalitete kulturore dhe gazetarë. Prapa tyre kishte një seri pajisjesh mbrojtëse Plexiglas, të bashkuara së bashku; këto ndiqeshin nga "kreu i varganit" i përbërë nga demonstruesit të pajisur me kaska dhe mbrojtës shpatullash dhe krahësh. Marshimi nuk kishte pasur skena përleshjesh, dhe kishte ecur thjesht për rreth dy kilometra pa hasur ndonjë pengesë. Pajisjet mbrojtëse tregonin se, edhe pse demonstruesit nuk ishin pajisur me objekte të mprehta, ata ishin përgatitur për përleshje të mundshme.
133. Në këto rrethana ishte e vështirë të kuptohej se pse oficerët Bruno dhe Mondelli kishin vendosur të nisnin një sulm ndaj marshit. Ata nuk kishin marrë asnjë urdhër për këtë qëllim, përkundrazi, atyre u ishte kërkuar të shmangnin kalimin në rrugën e marshuesve. Lajmi se një sulm ishte në zhvillim e sipër ishte pritur me të bërtitura mos-miratuese në qendrën operative.
134. Karabinierëve iu kërkua të ndërhynin urgjentisht në Burgun Marassi, ku forcat policore po përballeshin me një sulm të Bllokut të Zi. Prandaj, kur gjatë rrugës ata kishin hasur marshin, kishin tentuar të hapnin kryqëzimin dhe tunelin nëpër të cilin donin të kalonin. Sipas dëshmisë së një gazetari, i cili konsiderohet "neutral" dhe për këtë arsye i besueshëm, të rinj që i përkisnin Bllokut Zi, duke ardhur nga kahu i kundërt i marshuesve kishin filluar të hidhnin gurë mbi karabinierët dhe kjo kishte e bërë Z. Bruno të jepte urdhër për hedhjen e gazit lotsjellës. Gjykata e Apelit konkludoi që, pavarësisht se urdhrat e karabinierëve kishin qenë jo legjitime, ata ishin thirrur për të ndërhyrë në një situatë të karakterizuar nga dhuna e demonstruesve të Bllokut të Zi, të cilët më parë kishin shkatërruan pjesë të tjera të qytetit, dhe nga fakti se kryqëzimi ku ata kishin nevojë të kalonin ishte bllokuar nga turma dhe tuneli gjithashtu ishte bllokuar nga barrikadat.
135. Gjykata e Apelit binte dakord me vendimi i Gjykatës së Rrethit se veprimet vijuese nga ana e karabinierëve ishin të paligjshme:
(a) hedhja e gazit lotsjellës në lartësinë e kraharorit;
(b) urdhërimi i marshuesve për t’u shpërndarë, të cilët nuk po sillnin asnjë shqetësim dhe do hynin në zonën e kuqe shumë më tej, në Piazza Verdi;
(c) sulmi mbi një marshim të autorizuar paqësor, të përbërë nga demonstrues të paarmatosur. Ndërsa Blloku i Zi kishte krijuar shqetësime serioze diku tjetër në qytet, nuk kishte asnjë provë se ata ishin duke u "mbuluar" nga marshuesit, që do të thoshte se ata ishin fshehur në mesin e tyre para ose pas kryerjes së akteve të vandalizmit.
136. Për më tepër, kishte pasur akte arbitrare në formën e: përdorimin e shkopinjve të parregullt të gomës (Manganelli) (shkopinj druri ose metalikë të mbështjellë me shirit ngjitës të cilat ishin edhe burim i prerjeve të rënda dhe gjakderdhjeve), përdorimi i automjeteve të blinduara për "sulme” në mes të demonstruesve, duke ndjekur disa prej tyre me shpejtësi të lartë përgjatë rrugës (Gjykata e Apelit ka vërejtur se automjetet nuk i kishin frenat mjaft të sigurta dhe se njëri prej tyre kishte ndjekur një demonstrues në lëvizje zigzag, sikur po përpiqet të kalonte mbi të); shkaktimi i lëndimit të tepërt dhe rrahja e demonstruesve, gazetarëve dhe shoferit të një ambulance.
137. Sulmi i paligjshëm dhe arbitrar kishte prodhuar një reagim nga demonstruesit, i cili nuk ishte i dënueshëm në bazë të nenit 4 të Dekretit Legjislativ nr. 288 të vitit 1944. Megjithatë, sapo karabinierët ishin tërhequr dhe një automjet i blinduar ishte dëmtuar, demonstruesit nuk kishin qenë më në rrezik. Prandaj, sulmi mbi automjetin dhe personat që ndodheshin mbi të, nuk përbënte një akt mbrojtës, por një akt hakmarrjeje. Që nga ai moment e tutje Tute Bianche kishin "rifituar" të drejtën e tyre të grumbullimit dhe protestës, si dhe të gjitha aktet tjera të dhunës dhe vandalizmit nga ana e tyre, përfshirë dëmtimin e automjetit të blinduar, përbënin vepër penale.
138. Gjykata e Apelit pranoi qëndrimin e Gjykatës së Rrethit lidhur me faktin se, pavarësisht reagimit të dhunshëm të marshuesve, ata nuk ishin përgjegjës për veprën penale të dëmtimit të pasurisë. Dëmi i shkaktuar ishte i vogël dhe rezultonte nga përdorimi i objekteve (makina dhe kazanë mbeturinash) si mbrojtje ndaj karabinierëve. Ndryshe nga Blloku i Zi, Tute Bianche nuk kishin dalë në rrugë me qëllimin për të dëmtuar pronën publike apo private, veprime këto që simbolizonin sistemin që ata kundërshtonin. Dëmi kishte qenë i vogël vetëm në një zonë të kufizuar, kur ishin kundërpërgjigjur ndaj sulmit të karabinierëve dhe përgjithësisht ishte ndërprerë me tërheqjen e karabinierëve. Edhe pse "shqetësues", fakti se, demonstruesit në vijën e frontit kishin veshje mbrojtëse, nuk mund të supozohej se ata kishin për qëllim që të angazhoheshin në akte dhune.
H. Materiali audiovizual i paraqitur nga palët
139. Gjatë procesit para Gjykatës, palët dorëzuan një vëllim të madh të materialit audiovizual. CD-ROM-et e paraqitura nga Qeveria dhe kërkuesit, respektivisht, më 28 qershor dhe 9 korrik 2010, u panë nga gjyqtarët e Dhomës së Madhe më 27 shtator 2010 (shih paragrafin 9 më lart). Ato tregojnë disa faza të demonstratës që u zhvillua në Gjenovë më 20 korrik 2001 dhe përmbajnë imazhet e momenteve para dhe pas së shtënës që vrau Carlo Giuliani. Ata gjithashtu paraqesin dhunën e ushtruar nga demonstruesit (hedhjen e gurëve, akuzat mbi forcat policore, aktet e vandalizmit në rrugë dhe kundrejt policisë dhe automjeteve të karabinierëve) dhe dhunën e atribuuar autoriteteve. Disa nga pamjet tregojnë automjete të blinduara të policisë të cilat ndjekin demonstruesit me shpejtësi të madhe përgjatë rrugës dhe disa oficerë policie që rrahin një demonstrues shtrirë në tokë. CD-ROM-et e kërkuesve gjithashtu përmbanin ekstrakte nga dëshmia e Z. Lauro dhe të një interviste të M.P. të shfaqur në televizion.
I. Dokumentet administrative të paraqitura nga Qeveria
140. Qeveria paraqiti dokumente të shumta administrative nga organet policore, Ministria e Brendshme dhe Dhoma e Deputetëve. Dokumentet përkatëse për rastin në fjalë paraqiten më poshtë:
– më 6 shkurt 2001 Departamenti i Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme kishte dërguar një qarkore për gjithë kuestorët, për t’i kujtuar ata, në veçanti, se hedhja e gazit lotsjellës duhet të konsiderohet si një "masë e fundit për t’u përballur me situata veçanërisht të rënda të cilat nuk mund të menaxhohen ndryshe";
– Departamenti i Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme kishte përgatitur "një manual informativ për personelin e Policisë së Shtetit", i cili përmbante udhëzimet për veprimin gjatë Gjenovës G8;
– më 17 korrik 2001 - pra, para G8 - Ministri i Punëve të Brendshme i kishte raportuar Dhomës së Deputetëve "për situatën e rendit publik në Gjenovë";
– më 23 korrik 2001 i njëjti Ministër i kishte raportuar Parlamentit mbi "incidentet e rënda që ndodhën në Gjenovë gjatë takimit të G8";
– më 30 dhe 31 korrik 2001 Departamenti i Sigurisë Publike i Ministrisë së Brendshme kishte dorëzuar raporte për sjelljen e organeve të zbatimit të ligjit gjatë kontrollit të kryer në natën e 21 korrik 2001 në një shkollë të pushtuar nga demonstruesit, dhe në një stacion policie, ku persona ishin marrë në arrest. Masa disiplinore ishin propozuar ndaj disa oficerëve të policisë dhe kuestorit të Gjenovës;
– më 6 gusht 2001 Drejtoria Ndër-rajonale Policore i kishte dërguar shefit të policisë përfundimet e inspektimit administrativ të kryer në kuesturën e Gjenovës, sipas të cilit kishte pasur probleme të caktuara organizative gjatë G8 dhe analizonte trembëdhjetë "incidente potencialisht të dënueshme" për të cilat ishin përgjegjës forcat policore dhe që dilnin nga materiali audiovizual në dispozicion; asnjë prej incidenteve nuk kishte lidhje me përdorimin e forcës nga M.P.
141. Qeveria gjithashtu paraqiti një memorandum nga Departamenti i Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të datës 4 tetor 2010, sipas të cilit rreth 18 000 forca policore ishin dislokuar në G8 në Gjenovë. Në veçanti, Shteti kishte planifikuar 14 102 "përforcime", duke përfshirë 11 352 "operativ policie" (oficerë policë, karabinierë, oficerë të policisë financiare, policisë pyjore dhe policisë së burgut) dhe 2 750 anëtarë të forcave të armatosura. Nga 11 352 "operativëve të policisë", 128 i përkisnin njësive elitë, ndërsa 2 510 oficerë policë dhe 1 980 karabinierë përkisnin "njësive të lëvizshme " (reparti mobile) të përbëra nga personel i trajnuar dhe i pajisur posaçërisht për operacione të rendit publik. Departamenti i Sigurisë Publike vinte në dukje se, duke filluar prej marsit 2001, po zbatohej një program trajnimi, veçanërisht me personelin që do merrte pjesë në G8, me qëllim sigurimin e rendit publik bazuar në parimet e demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore (kështu, pjesëmarrësve në kurset e trajnimit u rikujtohej se përdorimi i forcës ishte një masë e fundit). Gjithashtu, ishin organizuar dhe seminare trajnimi të avancuara, ku studiohej dinamika e ngjarjeve të tilla si samiti i G8.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. “Bazat për përjashtim”
142. Kodi Penal ("KP") parashikon situata (cause di giustificazione ose scriminanti), të cilat mund të përjashtojnë individët nga përgjegjësia penale dhe bëjnë jo të dënueshme sjellje të cilat përbëjnë një vepër penale sipas ligjit. Baza të mundshme për përjashtim përfshijnë përdorimin legjitim të armëve dhe mbrojtjen e nevojshme.
1. Përdorimi legjitim i armëve
143. Neni 53 i KP parashikon se nuk ka përgjegjësi penale
“agjenti shtetëror i cili përdor ose urdhëron përdorimin e armëve apo ndonjë mjet tjetër të forcës fizike gjatë ushtrimit të detyrave të tij ose të saj zyrtare, ku ai ose ajo është i detyruar ta bëjë këtë në mënyrë që të zmbrapsë një akt dhune apo për të ndaluar një përpjekje për t’i rezistuar autoritetit zyrtar. Në çdo rast, ai ose ajo nuk do të jetë përgjegjës kur një veprim i tillë është kryer për të parandaluar aktet kriminale të tilla si masakër, mbytje anije, përmbytje, fatkeqësitë hekurudhore apo të aviacionit, vrasje me dashje, grabitje me armë apo rrëmbim...Ligji parashikon rastet të tjera në të cilat përdorimi i armëve apo çfarëdo mjeti tjetër të forcës fizike është i autorizuar.”
2. Mbrojtja e nevojshme
144. Neni 52 i KP parashikon se nuk ka përgjegjësi penale
“personi i cili kryen një vepër penale duke qenë i detyruar nga nevoja për të mbrojtur të drejtat e tij ose të drejtat e të tjerëve kundër një rreziku real të një sulmi të padrejtë, me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit.”
3. Neglizhencë e tepruar
145. Në bazë të nenit 55 të KP, në rastet, inter alia, e mbrojtjes së nevojshme apo përdorimit legjitim të armëve, kur personi nga pakujdesia (colposamente) tejkalon kufijtë e përcaktuara nga ligji ose nga autoriteti kompetent, apo kufijtë e nevojës, veprimet e tij ose të saj janë të dënueshme si veprime nga pakujdesia, në masën e parashikuar nga ligji.
B. Dispozita që rregullojnë sigurinë publike
146. Nenet 18-24 të Kodit të Sigurisë Publike (Testo Unico) i 18 qershor 1931 (Nr. 773) rregullojnë tubimet publike dhe mbledhjet në vende publike ose të hapura për publikun. Kur një tubim mund të rrezikojë rendin ose sigurinë publike, ose kur janë kryer shkelje, tubimi mund të shpërndahet. Para se të shpërndahen forcërisht, pjesëmarrësve u kërkohet paraprakisht nga forcat policore të shpërndahen. Nëse turma nuk bie dakord me kërkesën, duhet t’i jepen tre paralajmërime zyrtare për t’u shpërndarë. Nëse ata nuk pranojnë të shpërndahen apo paralajmërimet nuk mund të bëhen për shkak të revoltës apo kundërshtisë prej turmës, organet policore ose karabinierët urdhërojnë shpërndarjen me forcë të tubimit. Urdhri zbatohet nga forcat policore dhe forcat e armatosura nën komandën e oficerëve të lartë respektivë. Refuzimi i urdhrit për t’u shpërndarë dënohet me burgim prej një muaji deri në një vit dhe me gjobë nga 30 dhe 413 € (euro).
C. Dispozitat që rregullojnë përdorimin e armëve
147. Më shkurt 2001 Ministria e Brendshme lëshoi një urdhëresë për kuestorët që përmbante dispozita të përgjithshme mbi përdorimin e gazit lotsjellës dhe shkopinjve të gomës (sfollagente). Përdorimi i këtyre pajisjeve duhet të urdhërohet qartë dhe shprehimisht nga komandanti i shërbimit pas konsultimit me kuestorin. Personeli duhet të informohet.
148. Përveç kësaj, Dekreti i Presidentit nr. 359 i datës 5 tetor 1991 parashtron "kriteret për përcaktimin e armëve që i vihen në dispozicion autoriteteve të sigurisë publike dhe policisë së shtetit". Dekreti përmban një përshkrim të armëve të ndryshme standarde që jepen (në nenet 10-32), duke bërë një dallim midis "armëve personale" dhe "armë kolektive". Tek armët personale futen pistoleta e cila i jepet personit për aq kohë sa zgjat shërbimi i tij ose i saj (neni 3 § 2). Ai ose ajo duhet ta mbajë armën me vete, të sigurojë mirëmbajtjen e saj, të zbatoj masat e parashikuara për sigurinë në çdo kohë dhe situatë dhe të marrin pjesë në ushtrimet e qitjes të organizuara nga autoritetet (neni 6 § 1).
149. Neni 32 thotë se autoritetet "mund të japin plumba qetësues (proiettili narcotizzanti)" dhe se në rast nevoje dhe urgjence Ministri i Punëve të Brendshme mund të autorizojë oficerët e policisë të cilët kanë marrë trajnime ad hoc për të përdorur armë të tjera përveç atyre standarde që jepen, me kusht që armët të jenë të kontrolluara dhe të mos tejkalojnë kapacitetin sulmues të armëve standarde që u jepen (neni 37). Dekreti i lartpërmendur parashikon që armët standardeve që jepen duhet të jenë në proporcion dhe përshtaten me kërkesat e mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe trajtimin e krimit dhe qëllimet e tjera institucionale (neni 1).
D. Të drejtat e palëve të dëmtuara gjatë hetimeve paraprake dhe më pas një kërkesë nga prokurori publik për të ndërprerë procesin
150. Sipas nenit 79 të Kodit të Procedurës Penale ("KPP"), pala e dëmtuar mund të kërkojë për t’u bashkuar në proces si palë civile gjatë seancave përgatitore e në vazhdim; seanca paraprake është seanca në të cilën gjyqtari vendos nëse i akuzuari duhet të dërgohet për t’u gjykuar. Para seancës përgatitore, ose kur nuk është mbajtur një seancë të tillë për shkak se çështja është pushuar në një fazë të hershme, palët e dëmtuara mund të ushtrojë kompetenca të caktuara. Dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale parashikojnë:
Neni 90
“Palët e dëmtuara ushtrojnë të drejtat dhe kompetencat e dhëna shprehimisht me ligj dhe për më tepër, mund të paraqesin parashtrimet e tyre në çdo fazë të procesit dhe, me përjashtim të procesit në kasacion, mund të kërkojnë marrjen e provave.”
Neni 101
“Palët e dëmtuara mund të caktojnë një përfaqësues ligjor për ushtrimin e të drejtave dhe kompetencave të lidhura me to...”
Neni 359 § 1
“Kur prokurori urdhëron kryerjen e ekspertizave... ose ndonjë operacion tjetër teknik i cili kërkon një aftësi specifike, ai ose ajo mund të emërojë... ekspertë. Këta të fundit nuk mund të refuzojnë të bashkëpunonë.”
Neni 360
“1. Kur ekspertizat e përmendura në nenin 359... iu referohen personave, objekteve ose vendeve të cilat ndryshojnë, prokurori publik njofton menjëherë të pandehurin, palët e dëmtuara dhe përfaqësuesit ligjor të tyre për datën, kohën dhe vendin e caktuar për dhënien e udhëzimeve ekspertëve dhe mundësinë e emërimit të ekspertëve.
...
3. Çdo përfaqësues ligjor dhe ekspert i emëruar ka të drejtë të marrë pjesë në dhënien e udhëzimeve ekspertëve, të marrë pjesë në ekspertimet e kryera prej tyre, të bëjë vërejtje dhe të shprehë rezerva, nëse ka.”
Neni 392
“1. Në rrjedhën e hetimeve paraprake, prokurori dhe i pandehuri mund të kërkojnë nga gjyqtari marrjen e menjëhershme të provave...
2. Prokurori dhe i pandehuri mund të kërkojnë një ekzaminim mjeko-ligjor, kur një ekzaminim i tillë, nëse urdhërohet gjatë gjykimit, mund të sjellë pezullimin e gjykimit për më shumë se 60 ditë... .”
Neni 394
“1. Palët e dëmtuara mund të kërkojnë nëpërmjet prokurorit marrjen e menjëhershme të provave.
2. Nëse prokurori refuzon, ai ose ajo duhet të japë arsyet për vendimin e marrë dhe duhet t’ia bëj me dije palës së dëmtuar.”
151. Prokurori publik nuk mund të pushojë çështjen, ai ose ajo thjesht mund t’i kërkojë GIP për ta bërë këtë. Pala e dëmtuar mund ta kundërshtojë një kërkesë të tillë. Dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale lexojnë si vijon:
Neni 409
“1. Përveç në rastet kur është paraqitur kundërshtimi i përmendur në nenin 410, nëse gjyqtari pranon kërkesën për pushimin e çështjes ai ose ajo nxjerr një vendim për këtë qëllim, duke shpjeguar në të arsyet, dhe ia kthen dosjen organeve të prokurorisë. ...
2. Nëse gjyqtari refuzon kërkesën [për pushimin e çështjes], ai ose ajo duhet të caktojë datën e seancës jo publike dhe të informojë lidhur me këtë prokurorin, të pandehurin dhe palën e dëmtuar. Procedura do të zhvillohet në përputhje me nenin 127. Dokumentet do të depozitohen për regjistrim deri në datën e caktuar të seancës, dhe kopjet mund të merret nga përfaqësuesit ligjor.
...
4. Pas seancës, nëse gjyqtari konsideron se është të nevojshme marrja e masave të tjera hetimore, ai ose ajo nxjerr vendim ndaj prokurorisë në të cilën detajon masat që kërkohen të ndërmerren dhe përcakton afatin kohor për përfundimin e tyre.
5. Kur rrethanat e përshkruara në paragrafin 4 nuk zbatohen dhe gjyqtari refuzon kërkesën për të pushuar çështjen, ai ose ajo nxjerr vendim ku udhëzon prokurorin për përgatitur aktakuzën brenda dhjetë ditëve. ...
6. Vendimi për pushimin e çështjes mund të ankohet në Gjykatën e Kasacionit vetëm për shkaqet e pavlefshmërisë të parashikuara nga neni 127 § 5 [në veçanti dështimin për të përmbushur dispozitat procedurale në lidhje me zhvillimin e seancave në privat].”
Neni 410
“1. Nëse pala e dëmtuar kundërshton kërkesën për të pushuar çështjen, ajo duhet të paraqesë një kërkesë për vazhdimin e hetimeve, të në cilën të përcaktojë qëllimin e hetimeve të mëtejshme dhe përfshirjen e provave relevante, në të kundërt kërkesa deklarohet e papranueshme.
2. Ku kërkesa deklarohet e papranueshme dhe akuzat janë të pabaza, gjyqtari vendos pushimin e çështjes dhe ia kthen dosjen organeve të prokurorisë.
...”
E. Varrosja dhe djegia
152. Neni 116 e dispozitave zbatuese të KPP ka të bëjë me hetimin e vdekjes kur ka arsye për të dyshuar se bëhet fjalë për një krim. Ky nen parashikon:
“Ku dyshohet se një person ka vdekur si pasojë e një krimi, prokurori duhet të verifikojë shkakun e vdekjes dhe, nëse ai ose ajo e konsideron të nevojshme, urdhëron bërjen e autopsisë në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 369 të Kodit ose bën kërkesë për marrjen e menjëhershme të provave ...
... Varrimi nuk mund të bëhet pa urdhër të prokurorit.”
153. Neni 79 i Dekretit të Presidentit nr. 285 i datës 10 shtator 1990 përcakton se djegia e kufomës duhet të autorizohet nga autoriteti gjyqësor ku vdekja ka ndodhur papritmas ose në rrethana të dyshimta.
III. PARIMET DHE MATERIALET NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
A. Parimet themelore të Kombeve të Bashkuara mbi Përdorimin e Forcës dhe Armëve të Zjarrit nga Organet e Zbatimit të Ligjit
154. Pjesët përkatëse të këtyre parimeve ("Parimet e OKB-së"), të miratuara nga Kongresi i Tetë i Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Kriminalitetit dhe Trajtimin e keqbërësve, të mbajtur në Havanë (Kubë) nga 27 gusht deri në 7 shtator 1990, parashikojnë si poshtë:
“1. Qeveritë dhe organet e zbatimit të ligjit do të miratojnë dhe zbatojnë rregulla dhe rregullore për përdorimin e forcës dhe të armëve të zjarrit ndaj personave nga ana e organeve të zbatimit të ligjit. Në zhvillimin e rregullave dhe të rregulloreve të tilla, qeveritë dhe organet e zbatimit të ligjit, vazhdimisht do të mbajnë parasysh çështjet etike të ndërlidhura me përdorimin e forcës dhe të armëve të zjarrit.
2. Qeveritë dhe organet e zbatimit të ligjit duhet ë zhvillojnë një spektër të mjeteve sa më të gjerë që është e mundur, dhe të pajisin zyrtarët e zbatimit të ligjit me lloje të ndryshme të armëve dhe municionit që do të mundësojë përdorim të diferencuar të forcës dhe të armëve të zjarrit. Kjo duhet të përfshijë zhvillimin e armëve jo vdekjeprurëse për përdorim në situata të caktuara, me qëllim të reduktimit më të madh të përdorimit të mjeteve të afta për të shkaktuar vdekje apo lëndim të personit. Me të njëjtin qëllim, gjithashtu do të duhej të jetë e mundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit që të jenë të pajisur me pajisje vetëmbrojtëse si mburoja, helmeta, këmisha anti-plumb dhe mjete transporti anti-plumb, me qëllim të zvogëlimit të nevojës për përdorim të armëve të çfarëdo lloji..
...
9. Organet e zbatimit të ligjit nuk do të përdorin armët e zjarrit kundër personave, përveç se në vetëmbrojtje apo mbrojtje të të tjerëve kundër kërcënimit iminent të jetës apo nga lëndimi serioz, për të parandaluar kryerjen e ndonjë vepre penale të rëndë që përfshinë kërcënim për jetën, për të arrestuar personin që paraqet rrezik të tillë dhe i reziston autoritetit të tyre, apo për të parandaluar ikjen e tij apo të saj, dhe vetëm kur mjetet më pak të skajshme janë të pamjaftueshme për të arritur këto objektiva. Në çdo rast, përdorimi i qëllimshëm i armëve të zjarrit mund të bëhet vetëm kur është krejtësisht i pashmangshëm me qëllim të mbrojtjes së jetës.
10. Në rrethanat e përcaktuara në parimin 9, organet e zbatimit të ligjit do të identifikojnë veten si të tillë dhe do të japin vërejtje për qëllimin e përdorimit të armës së zjarrit, me kohë të mjaftueshme që vërejtja të respektohet, përveç nëse kjo do të vinte organet e zbatimit të ligjit në rrezik, apo do të krijonte rrezikun nga vdekja apo lëndimi serioz për persona të tjera, apo qartazi do të ishte i pakuptimtë apo i kotë në rrethanat e incidentit.
11. Rregullat dhe rregulloret për përdorimin e armëve të zjarrit nga ana e organeve për zbatimin e ligjit duhet të përfshijnë udhërrëfyes për:
(a) Specifikim të rrethanave në të cilat organet e zbatimit të ligjit janë të autorizuar të mbajnë armë zjarri dhe llojet e armëve të zjarrit dhe të municionit që lejohet;
(b) Sigurim që armët e zjarrit përdoren vetëm në rrethana adekuate dhe në mënyrën që ka gjasa të zvogëlojë rrezikun e dëmit të panevojshëm;
(c) Ndalim të përdorimit të armëve të zjarrit dhe të municionit të tillë që shkakton lëndime të panevojshme apo që paraqet një rrezik të panevojshëm;
(d) Rregullim të kontrollit, ruajtjes dhe të dhënies së armëve të zjarrit, përfshirë edhe procedurat për sigurimin që organet e zbatimit të ligjit mbajnë përgjegjësi për armët e zjarrit dhe municionin që u është dhënë atyre;
(e) Duhet të jepen vërejtje, nëse është e dëshirueshme, kur përdoren armët e zjarrit;
(f) Kërkohet një sistem i raportimit kurdo që organet e zbatimit të ligjit përdorin armët e zjarrit gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
...
18. Qeveritë dhe organet e zbatimit të ligjit duhet të sigurojnë se organet e zbatimit të ligjit janë zgjedhë përmes procedurave të rregullta të testimit, se kanë moral të përshtatshëm, cilësi fizike dhe psikike për ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre dhe se marrin trajnime profesionale të vazhdueshme e gjithëpërfshirëse. Aftësia e tyre e vazhdueshme për kryerjen e këtyre funksioneve duhet të jetë objekt i shqyrtimit periodik.
19. Qeveritë dhe organet e zbatimit të ligjit duhet të sigurojnë se organet e zbatimit të ligjit marrin trajnim dhe testohen në përputhje me standardet adekuate të përsosmërisë në përdorimin e forcës. Këta oficerë të zbatimit të ligjit, të cilët kërkohet të mbajnë armë zjarri duhet të autorizohen për të bërë këtë vetëm pas përfundimit të trajnimit të veçantë për këtë qëllim.
20. Gjatë trajnimit të organeve të zbatimit të ligjit, qeveritë dhe organet e zbatimit të ligjit do t’u kushtojnë vëmendje të veçantë çështjeve të etikës policore dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht për sa i përket procesit të hetimeve, alternativave për përdorimin e armëve të zjarrit, përfshirë edhe zgjidhjen paqësore të konflikteve, kuptimin e sjelljeve të masës, dhe metodat e bindjes, të negocimit e të ndërmjetësimit, sikundër edhe mjetet teknike, në lidhje me përdorimin e kufizuar të forcës dhe të armëve të zjarrit. Organet e zbatimit të ligjit duhet të shqyrtojnë programet e tyre të trajnimit dhe procedurat operacionale në kontekstin e incidenteve të veçanta.
...”
B. Raporti i Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues apo Ndëshkimit (KPT)
155. KPT-ja vizitoi Italinë në vitin 2004. Pjesët përkatëse të raportit të tij, të publikuara më 17 prill 2006, lexojnë si vijon:
“14. Shumë herët, që prej 2001 KPT-ja nisi një dialog me autoritetet italiane në lidhje me ngjarjet që kishin ndodhur në Napoli (më 17 mars 2001) dhe në Gjenovë (20-22 korrik 2001). Autoritetet italiane kanë vazhduar të informojnë Komitetin për masat e ndërmarra në përgjigje të akuzave për keqtrajtim nga ana e organeve të zbatimit të ligjit. Në këtë kontekst autoritetet, gjatë vizitës paraqitën një listë të procedurave gjyqësore dhe disiplinore që po zhvilloheshin.
KPT dëshiron të mbahet e informuar rregullisht për ecurinë e procedurës të përmendur më lart. Përveç kësaj, ajo dëshiron të marrë informacion të detajuara për masat e marra nga autoritetet italiane për të parandaluar përsëritjen e episodeve të ngjashme në të ardhmen (në lidhje, për shembull, me menaxhimin e operacioneve në shkallë të gjerë të rendit publik, trajnimin e personelit mbikëqyrës dhe operacional dhe sistemet e monitorimit dhe inspektimit).
15. Në raportin për vizitën e tij në vitin 2000, KPT-ja ka rekomanduar që të merren masa në lidhje me trajnimin e organeve të zbatimit të ligjit, me referencë të veçantë për të inkorporuar parimet e të drejtave të njeriut në trajnimin praktik - si fillestar dhe ato që zhvillohen në vazhdimësi - në lidhje me menaxhimin e situatave të rrezikut të lartë, të tilla si arrestimi dhe marrja në pyetje e të dyshuarve. Autoritetet italiane dhanë thjesht një përgjigje të përgjithshme lidhur me komponentin e “të drejtave të njeriut” tek trajnimet e organet e zbatimit të ligjit. KPT dëshiron të marrë një informacion më të hollësishëm dhe të përditësuar mbi këtë temë ...”
C. Dokumentet të Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës (KKT)
156. Qeveria paraqiti dokumente përmbledhëse të konsideratës nga KKT për raportet e paraqitura nga Shtetet Palë sipas nenit 19 të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese apo Ndëshkuese. Pjesë e raportit periodik të katërt të paraqitur nga Italia (datë 4 maj 2004) trajtojnë "ngjarjet në Gjenovë" (paragrafët 365-395). Ajo është e bazuar kryesisht në pasazhe të caktuara nga raporti i komisionit parlamentar (shih paragrafët 113-116 më sipër). KKT vlerësoi raportin periodik të katërt të Italisë në mbledhjet e tij të 762-të dhe 765- të, të mbajtur më 4 dhe 7 maj 2007, dhe miratoi në takimet e tij 777-të dhe 778-të, një dokument që përmbante konkluzione dhe rekomandime. Pjesët përkatëse të raportit të KKT lexojnë si vijon:
“Trajnimi
15. Komiteti vëren sipas vlerësimit të informacionit të detajuar të vënë në dispozicion nga Shteti palë lidhur me trajnim e organeve të zbatimit të ligjit, stafin e burgjeve, rojet kufitare dhe forcat e armatosura. Megjithatë, Komiteti me keqardhje konstaton mungesën e informacionit mbi trajnimin për zbatimin e mënyrave jo të dhunshme, menaxhimin e turmave dhe përdorimin e forcës dhe armëve të zjarrit. Përveç kësaj, Komiteti ankohet se nuk ka asnjë informacion mbi ndikimin e trajnimit të kryer tek organet e zbatimit të ligjit dhe rojet kufitare, dhe sa të efektshme programet e trajnimit kanë qenë në reduktimin e incidenteve të torturës dhe keqtrajtimit. (neni. 10)
Shteti palë duhet më tej të zhvillojë dhe zbatojë i programe arsimore për të siguruar që:
a) Të gjitha organet e zbatimit të ligjit, rojet kufitare dhe personeli që punon në KPT dhe KKT të jenë plotësisht të vetëdijshëm për dispozitat e kësaj Konvente, që shkeljet nuk do të tolerohen dhe do të hetohen, dhe se shkelësit do të ndiqen penalisht; dhe
b) Të gjitha organet e zbatimit të ligjit të jenë të pajisur me mjetet e nevojshme në mënyrë adekuate dhe të trajnuar për të përdorur mjete jo të dhunshme dhe përdorimi i forcës dhe armëve të zjarrit të jetë mjeti i fundit kur është e domosdoshme dhe proporcionale. Në këtë drejtim, autoritetet italiane duhet të kryejë një rishikim tërësor të praktikave aktuale policore, duke përfshirë edhe trajnimin dhe vendosjen e organeve të zbatimit të ligjit në menaxhimin e turmave dhe rregulloret për përdorimin e forcës dhe armëve të zjarrit nga organet e zbatimit të ligjit.
Për më tepër, Komiteti rekomandon që i gjithë personeli përkatës të marrë trajnime specifike se si të identifikojnë shenjat e torturës dhe keqtrajtimit dhe se Protokolli i Stambollit i vitit 1999 (Manual për Hetim dhe Dokumentimin Efektiv të Torturës dhe Trajtimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese ) të bëhet një pjesë integrale e trajnimit të ofruar për mjekët.
Përveç kësaj, Shteti palë duhet të zhvillojë dhe zbatojë një metodologji për të vlerësuar efektivitetin dhe ndikimin e trajnimeve/programeve arsimore të tij, për uljen e rasteve të torturës dhe keqtrajtimit.
...
Keqtrajtimi dhe përdorimi i tepruar i forcës
17. Komiteti vëren me shqetësim akuzat e vazhdueshme për përdorim të tepruar të forcës dhe keqtrajtimit nga ana e organeve të zbatimit të ligjit. Në lidhje me këtë, Komiteti është i shqetësuar veçanërisht në raportet e nxjerra lidhur me supozimin e përdorimit të tepruar të forcës dhe keqtrajtimit nga ana e organeve të zbatimit të ligjit gjatë demonstratave në Napoli (mars 2001) në kuadrin e Forumit të Tretë Global, Samiti G8 në Gjenovë (korrik 2001) dhe në Val di Suza (Dhjetor 2005). Komiteti është gjithashtu i shqetësuar se incidente të tilla thuhet se kanë ndodhur edhe gjatë ndeshjeve të futbollit, por ajo vë në dukje miratimin së fundi të ligjit nr. 41/2007, me titull ”Masa urgjente për parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të dhunës që ndodhin gjatë ndeshjeve të futbollit". (nenet 12, 13 dhe 16)
Komiteti rekomandon që Shteti palë duhet të marrë masa efektive për të:
(a) Dërguar një mesazh të qartë të gjitha niveleve hierarkike të forcave të policisë dhe të personelit të burgut se, tortura, dhuna dhe keqtrajtimi janë të papranueshme, duke përfshirë futjen e një kodi të sjelljes për të gjithë zyrtarët;
(b) Garantuar se ata që raportojnë sulmet e bëra nga organet e zbatimit të ligjit janë të mbrojtur nga kërcënimet dhe hakmarrjet e mundshme për raportime të tilla; dhe
(c) Të sigurojnë që zyrtarët e zbatimit të ligjit të përdorin forcën vetëm kur është domosdoshme dhe në masën e nevojshme për kryerjen e detyrës së tyre.
Për më tepër, Shteti palë duhet t’i raportojë Komisionit mbi progresin lidhur me procedurën gjyqësore dhe disiplinore në lidhje me incidentet e mësipërme.
18. Komiteti është i shqetësuar nga raportimet se organet e zbatimit të ligjit nuk kanë mbajtur kartat e identifikimit gjatë demonstratave në samitin e G8 në Gjenovë 200, çka bënte të pamundur për t’i identifikuar ata në rast të një ankimi për keqtrajtimit apo torturë (nenet 12 dhe 13).
Shteti palë duhet të sigurojë që të gjitha organet e zbatimit të ligjit në detyrë të jenë të pajisur me kartat e identifikimit të dukshme për të bërë të mundur përgjegjshmërinë e tyre individuale dhe mbrojtjen kundër torturës, trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues.
Hetim i shpejtë dhe i paanshëm
19. Komiteti është i shqetësuar mbi numrin e raportimeve të keqtrajtimit nga ana e organeve të zbatimit të ligjit, numrit të kufizuar të hetimeve të kryera nga Shteti palë për raste të tilla, dhe numri shumë i kufizuar i dënimeve për rastet të cilat janë hetuar. Komiteti vëren me shqetësim se vepra penale e torturës, e cila si e tillë nuk ekziston në Kodin Penal italian, por është i dënueshëm sipas dispozitave të tjera të Kodit Penal, në disa raste mund të parashkruhet. Komiteti është i mendimit që aktet e torturës nuk mund parashkruhen dhe përshëndet deklaratën e bërë nga delegacioni i Shtetit palë se janë duke konsideruar një modifikim të kufizimeve kohore (nenet 1, 4, 12 dhe 16).
Komiteti rekomandon që Shteti palë:
(a) Të forcojë masave të saj për të siguruar hetim të shpejtë, të paanshme dhe efektive për të gjitha akuzat e torturës dhe keqtrajtimit të kryera nga organet e zbatimit të ligjit. Në veçanti, hetime të tilla nuk duhet të ndërmerren nga organet policore ose të jenë nën kontrollin e tyre, por nga një organ i pavarur. Në lidhje me rastet prima facie të torturës dhe keqtrajtimit, i dyshuari, gjatë procesit të hetimit, si rregull duhet të pezullohet nga detyra ose të caktohet diku tjetër, veçanërisht në qoftë se ekziston një rrezik që ai ose ajo mund të pengojë hetimet;
(b) Të gjykojë përgjegjësit e veprës së kryer dhe të imponojë dënime të përshtatshme për të dënuarit në mënyrë që të eliminohet praktika e mosndëshkimit për organet e zbatimit të ligjit të cilët janë përgjegjës për shkelje të ndaluara nga Konventa; dhe
(c) Të shqyrtojë rregullat dhe dispozitat e saj lidhur me afatet e parashkrimit dhe sjelljen e tyre në përputhje të plotë me detyrimet e tij sipas Konventës në mënyrë që aktet e torturës, tentativat për kryerjen e akteve të torturës dhe aktet e çdo personi që është bashkëfajtor apo pjesëmarrës në akte torture, të mund të hetohen, ndiqen penalisht dhe të dënohen pa kufizime kohore.”
E DREJTA
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË ASPEKTIT MATERIAL TË NENIT 2 TË KONVENTËS
157. Kërkuesit pretenduan se Carlo Giuliani ishte vrarë nga organet e zbatimit të ligjit dhe se autoritetet nuk kishin ruajtur jetën e tij. Ata u bazuan në nenin 2 të Konventës, i cili garanton:
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i merret jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjyqësor me vdekje, pas dënimit për një krim për të cilin ky dënim është parashikuar me ligj.
2. Marrja e jetës nuk konsiderohet të jetë shkaktuar në kundërshtim me këtë nen në rastet kur ajo vjen si pasojë e përdorimit të forcës, që është jo më shumë se absolutisht e nevojshme:
(a) në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme;
(b) për të kryer një arrestim të ligjshëm ose për të parandaluar arratisjen e një personi të cilit i është hequr liria ligjërisht;
(c) për të kundërshtuar, në përputhje me ligjin, një trazirë ose kryengritje.”
A. Nëse justifikohet përdorimi i forcës me pasojë vdekjen e personin
158. Kërkuesit parashtruan si fillim se, në rrethanat specifike të çështjes përdorimi i forcës me pasojë vdekjen nga M.P. nuk kishte qenë "absolutisht i nevojashëm", në mënyrë që të arriheshin synimet e renditura në paragrafin e dytë të nenit 2 të Konventës. Qeveria e kundërshtoi këtë argument.
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesit
159. Kërkuesit vunë në dukje se ata kurrë nuk e kishin pranuar "teorinë e objektit të ndërmjetëm". Sipas ekspertit të tyre, Z. Gentile, plumbi nuk ishte copëzuar nga përplasja me trupin e viktimës (shih paragrafin 64 më lart). Megjithatë, duke qenë se plumbin nuk e kishin në dispozicion dhe nuk njihnin as formën dhe as dimensionet e objektit "të ndërmjetëm", ishte e pamundur formulimi i një hipotezë shkencore për llojin e përplasjes së plumbit gjatë trajektores së tij dhe për të mbështetur idenë se ai kishte devijuar. Për më tepër, ekspertët e tjerë të emëruar nga kërkuesit kishin mbështetur idenë se guri ishte shkatërruar si pasojë e përplasjes me xhipin dhe jo nga plumbi i qëlluar nga M.P. (shih paragrafin 65 më lart).
160. Sipas kërkuesve, jeta e personave në xhip nuk kishte qenë në rrezik, pasi automjeti në fjalë ka qenë një xhip Defender, një model i cili, edhe pa blindim, ishte mjaft i fuqishëm. Për më tepër, numri i demonstruesve që duken në imazhet e marra nuk ishte më shumë se një duzinë ose ndoshta më pak. Demonstruesit nuk kishin armë vdekjeprurëse dhe nuk e kishin rrethuar xhipin; materiale audio vizuale tregonin se nuk kishte pasur asnjë demonstrues në të majtë apo përballë automjetit. Siç vërtetohet nga fotografitë, në bordin e xhipit ka pasur mburojë. M.P. kishte qenë i veshur me një jelek antiplumb dhe kishte dy kaska në dispozicion të tij. Si përfundim, ka pasur oficerë të tjerë të zbatimit të ligjit në afërsi dhe nuk kishte asnjë provë që plagët për të cilat M.P. dhe D.R. ankoheshin t’i kishin marrë gjatë ngjarjeve në fjalë.
161. Sipas akt ekspertizës të autopsisë (shih paragrafin 50 më lart) dhe siç mund të konkludohet nga deklaratat e vetë M.P., ky i fundit kishte qëlluar poshtë. Kur u pyet lidhur me 20 korrikun 2001 nga organet e prokurorisë së Gjenovës, M.P. kishte deklaruar se nuk kishte parë askënd, kur kishte drejtuar armën; ai kishte qenë në dijeni se po hidheshin gurë dhe për praninë e sulmuesve të cilët ai nuk mund t’i shihte (shih paragrafin 36 më lart). Në këto rrethana ishte e vështirë të imagjinohet se si M.P. mund të ketë qenë duke vepruar në brenda kufijve të mbrojtjes së nevojshme në kundërpërgjigjen ndaj veprimeve të Carlo Giuliani, të cilin ai nuk kishte mundur ta shihte. Duke qenë se as Giuliani Carlo dhe as demonstruesit e tjerë nuk kishin qenë të armatosur, përgjigja e M.P. nuk mund të thuhet se ka qenë proporcionale.
162. Për më tepër, dëshmitë e M.P. kishin qenë kontradiktore. Në dy marrjet e para në pyetje (më 20 korrik dhe 11 shtator 2001 - shih paragrafët 36 dhe 39 më lart), ai tha se nuk e kishte parë Carlo Giuliani dhe nuk deklaroi se kishte qëlluar lart (kjo, sipas pikëpamjes së kërkuesve, kjo përbënte një pranim të heshtur se ai kishte qëlluar në lartësi të gjoksit). Megjithatë, në seancën e 1 qershor 2007 në "gjyqin e të njëzet e pesëve", ai deklaroi se ishte qëlluar me krahun e tij në ajër dhe kjo ishte në kundërshtim me një fotografi të paraqitur nga mbrojtja ku tregoj M.P. me armen e drejtuar në lartësia gjoks, në një kënd rënie horizontale. Si përfundim, gjatë një interviste televizive të transmetuar më 15 nëntor 2007, M.P. kishte deklaruar se "ishte përpjekur të qëllonte sa më të lartë të ishte e mundur në ajër ", se nuk kishte marrë në shenjë Carlo Giuliani dhe se ai kurrë nuk kishte qenë një qitës i mirë. Ai shtoi se ai ishte dërguar në G8 në Gjenovë pasi zëvendësonte një koleg të tijin që nuk kishte dashur të shkonte.
163. Së fundi, kërkuesit parashtruan se M.P. nuk kishte paralajmëruar qartë qëllimin e tij për të përdorur armë dhe se disa prej fotografive të marra gjatë ngjarjeve tregonin një mburojë duke u përdorur si mbrojtje në vend të njërës prej dritareve të thyera të xhipit.
(b) Qeveria
164. Qeveria argumentoi se nuk ishte detyrë e Gjykatës për të dyshuar mbi përfundimet e hetimit dhe konkluzionet e gjyqtarëve kombëtare. Prandaj, përgjigja - negative - e pyetjes nëse autoritetet vendase kishin dështuar në detyrën e tyre për të mbrojtur jetën e Carlo Giuliani gjendej në kërkesën për pushimin e çështjes. Në mbështetje të pohimeve të tyre, Qeveria iu referua çështjes Grams kundër Gjermanisë ((dec.), nr. 33677/96, ECHR 1999-VII) dhe të mendimit në pakicë i Gjyqtarëve Thomassen dhe Zagrebelsky në Ramsahai dhe të Tjerët kundër Holandës (nr. 52391/99, 10 nëntor 2005), dhe kërkoi nga Gjykata që të mbajë këtë qëndrim.
165. Nuk ka pasur marrje të qëllimshme të jetës në këtë rast, dhe as nuk kishte pasur ndonjë "përdorim të tepruar force". Për më tepër, nuk ekzistonte lidhje shkakësore ndërmjet të shtënës nga M.P. dhe vdekjes së Carlo Giuliani. Edhe pse GIP, në vendimin e saj për të pushuar çështjen, kishte aplikuar nenin 52 dhe 53 të KP, ajo nuk kishte shpërfillur rrethanat e jashtëzakonshme e të paparashikueshme ku trajektorja e plumbit ishte devijuar pas një përplasje me një gur, një rrethanë e cila ishte vlerësuar nga pikëpamja e proporcionalitetit. Qeveria konkludoi nga kjo se vendimi për të pushuar çështjen kishte shfajësuar M.P. me arsyetimin se lidhja shkakore ndërmjet të shtënës dhe vdekjes së Carlo Giuliani ishte thyer nga përplasje e plumbit me gurin dhe devijimin e trajektores së të shtënës.
166. Në këndvështrimin e GIP, M.P. kishte vepruar me iniciativën e tij, në një gjendje paniku dhe në një situatë ku ai kishte arsye të vlefshme për të besuar se kishte një kërcënim serioz dhe të pashmangshëm për jetën dhe integritetin e tij fizik. Për më tepër, M.P. nuk kishte marrë në shenjë Carlo Giuliani apo dikë tjetër. Ai kishte qëlluar lart, në një drejtim që nuk përbënte asnjë rrezik për të goditur dikë. Vdekja e Carlo Giuliani nuk kishte qenë pasoja e drejtpërdrejtë dhe e synuar e përdorimit të forcës, dhe forca e përdorur nuk kishte qenë potencialisht vdekjeprurëse (Qeveria iu referua, në veçanti, për Scavuzzo Hager dhe të Tjerët kundër Zvicrës, nr. 41773/98, §§ 58 dhe 60, 7 shkurt 2006, dhe Kathleen Stewart kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 10044/82, vendimi i Komisionit i datës 10 qershor 1984, Vendime dhe Raporte (DR) 39).
167. Ekspertët e të dy palëve kishin rënë dakord për sa i përket faktit se plumbi kishte qenë i copëzuar që më parë, kur kishte goditur viktimën. Hamendësimet nga kërkuesit lidhur me arsyet e copëzimit të plumbit - të tilla si modifikimi i tij në mënyrë që të rritej mundësia për t’u copëzuar, ose një defekti i prodhimit - ishin konsideruar nga vetë kërkuesit se kishte "shumë më pak të ngjarë të ndodhin "(shih paragrafët 64, 71 dhe 81 më sipër), dhe nuk mund të jepnin një shpjegim të vlefshëm. Fakti se kishte qenë i pamundur identifikimi i objektit të ndërmjetëm ishte një detaj jo aq i rëndësishëm për të pasur një ndikim vendimtar mbi përfundimet e hetimit.
168. Në kundërshtim me pretendimet e kërkuesve, Qeveria parashtroi se përdorimi i forcës vdekjeprurëse kishte qenë "absolutisht i nevojashëm" dhe "proporcional". Ata theksuan këto elemente në veçanti: shkallen dhe natyrën e përhapur të dhunës gjatë demonstratës, forca e sulmit nga demonstruesit mbi kontingjentin e karabinierëve menjëherë para ngjarjeve në fjalë dhe faktin që dhuna ishte ne kulmi në ato momente; gjendja fizike dhe mendore e karabinierëve në fjalë, sidomos M.P; kohëzgjatja shumë e shkurtër e ngjarjeve, nga sulmi mbi automjetin deri në gjuajtjen fatale; fakti se M.P. kishte qëlluar vetëm dy të shtëna në drejtim lart; gjasat që M.P. nuk kishte qenë në gjendje për të parë viktimën kur ai qëlloi ose, më së shumti, mund ta shihte atë turbull në cep të fushëpamjes së tij; dhe lëndimet e vërtetuara nga M.P. dhe D.R.
169. Në parashtrimet e Qeverisë, nuk ishte provuar se fotografia e cila tregonte pistoletë e dalë nga dritarja e pasme e xhipit, përfaqësonte pozicionin e armës në momentin kur ishte qëlluar. M.P. kishte nxjerrë armën e tij të paktën disa sekonda para se të qëllonte, dhe vetëm një fraksion sekonde duhet për të lëvizur dorën me disa centimetra ose të ndryshohej këndi i të shtënës me disa gradë. Fotografia në fjalë, pra, nuk siguronte prova që M.P. ishte përgjegjës për vdekjen e Carlo Giuliani dhe nuk mund të hidhte poshtë hipotezën e një aksidenti të paparashikuar.
170. Kishte qenë objektivisht e pamundur për autoritetet e ndjekjes penale për të përcaktuar gjendjen mendore të M.P. dhe qëllimet e tij të sakta, duke pasur parasysh konfuzionin dhe gjendjen e tij të panikut në kohën e ngjarjeve. Pajisjet e M.P. përbëheshin nga uniforma e organeve të ruajtësve të rendit publik, dy kaska me mbrojtëse përpara, një çantë shpine, gjashtë granata të mëdha gazi lotsjellës, një maskë filtruese gazi, një pistoletë Beretta dhe një karikator. Sipas Ministrisë së Brendshme nuk ishte e mundur të përcaktohej nëse kishte një mburojë brenda në xhip.
171. M.P. nuk kishte pasur asnjë mundësi tjetër përveç se të qëllonte, duke qenë se edhe pozicioni i automjetit nuk e bënte të mundur largimin nga vendi. Për më tepër, karabinierët në xhip nuk kishin qenë në gjendje të thërrisnin ndihmë për shkak të gjendjes së tyre të panikut, qëllimeve agresive të demonstruesve dhe shpejtësisë me të cilën ndodhën ngjarjet. Në çdo rast, nuk do të kishte pasur kohë t’u ofrohej ndihme nëse rast se e kërkonin, duke pasur parasysh distancën për të cilën behet fjalë dhe faktin se organet e zbatimit të ligjit duhet të rigrupoheshin dhe ata vetë ishin përfshirë në një përleshje me demonstruesit. Qeveria iu referua materialit audiovizual të paraqitur përpara Gjykatës, e cila sipas tyre tregonte se nëse M.P. nuk do të kishte përdorur armë e tij, sulmi i dhunshëm nga rreth shtatëdhjetë demonstrues mbi automjetin e karabinierëve do të kishte përfunduar me vdekjen e ndonjërit prej këtyre të fundit.
172. Kërkesa e prokurorit për pushimin e çështjes ishte bazuar në të gjithë këta faktorë dhe në parimin favor rei: sipas së drejtës italiane, kur ka dyshime dhe duket e pamundur për të ndjekur penalisht çështjen në gjykatë, dhe kur procesi gjyqësor nuk ka të ngjarë t’u shtojë provave asgjë të rëndësishme, çështja pushohet.
2. Vendimi i Dhomës
173. Dhoma vendosi se përdorimi i forcës nuk kishte qenë në disproporcion. Ky konstatim ishte bazuar kryesisht në pranimin e arsyetimit të GIP në vendimin e saj për të pushuar çështjen, i cili sipas Dhomës ishte bazuar në një analizë të hollësishme të provave të dëshmitarëve dhe materiale fotografike dhe audiovizuale në dispozicion. Dhoma shtoi se, para se të qëllonte, M.P. e kishte mbajtur armën në dorë në mënyrë të tillë që ajo ishte e dukshme nga jashtë xhipit (shih paragrafët 214-227 të vendimit të Dhomës).
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e Përgjithshme
174. Gjykata përsërit se neni 2 është një nga dispozitat më themelore të Konventës, i cili, në kohë paqeje, nuk pranon asnjë derogim në bazë të nenit 15. Së bashku me nenin 3, ajo mishëron një nga vlerat themelore të shoqërive demokratike që përbëjnë Këshillin e Evropës (shih, midis vendimesh të tjera, Andronicou dhe Constantinou kundër Qipros, 9 tetor 1997, § 171, Raporte të vendimeve 1997-VI, dhe Solomu dhe të Tjerët kundër Turqisë, nr. 36832/97, § 63, 24 qershor 2008).
175. Përjashtimet e përcaktuara në paragrafin 2 tregojnë se neni 2 përfshin, por nuk trajton ekskluzivisht vrasjen me dashje. Neni 2, i lexuar si një i tërë, tregon se paragrafi 2 nuk përcakton kryesisht raste kur është e lejuar vrasja me dashje e një individi, por përshkruan situata ku është e lejuar për t’u "përdorur forca", e cila mund të sjellë si pasojë marrjen e jetës. Përdorimi i forcës, megjithatë, duhet të jetë jo më shumë se "absolutisht i nevojashëm" për arritjen e një prej qëllimeve të përcaktuara në nën-paragrafët (a), (b) ose (c) (shih McCann dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, 27 shtator 1995, § 148, Seria A nr. 324, dhe Solomu dhe të Tjerë, cituar më lart, § 64).
176. Përdorimi i termit "absolutisht i nevojashëm", tregon se duhetzbatuar një test i rreptë dhe më bindës i nevojës se sa ai që normalisht zbatohet kur përcaktohet nëse veprimi i Shtetit është "i nevojshëm në një shoqëri demokratike" sipas paragrafëve 2 të neneve 8-11 të Konventës. Në veçanti, forca e përdorur duhet të jetë rigorozisht proporcionale me arritjen e qëllimeve të përcaktuar në nën-paragrafët 2 (a), (b) dhe (c) të nenit 2. Për më tepër, në përputhje me rëndësinë e kësaj dispozite në një shoqëri demokratike, Gjykata duhet, në gjykimin e saj, që marrjen e jetës, t’ia nënshtrojë shqyrtimit më të kujdesshëm të mundshëm, sidomos kur është përdorur qëllimisht forcë vdekjeprurëse, duke marrë parasysh jo vetëm veprimet e agjentëve të Shtetit që në fakt administrojnë forcën, por edhe të gjitha rrethanat, duke përfshirë çështje të tilla si planifikimi dhe kontrolli i veprimeve nën shqyrtim (shih McCann dhe të Tjerë, cituar më lart, §§ 147-150, dhe Andronicou dhe Constantinou, cituar më sipër, § 171; shih gjithashtu Avşar kundër Turqisë, nr 25657/94, § 391, ECHR 2001-VII, dhe Musayev dhe të Tjerët kundër Rusisë, nr. 57941/00, 58699/00 dhe 60403/00, § 142, 26 korrik 2007).
177. Rrethanat në të cilat marrja i jetës mund të justifikohet duhet të interpretohen në mënyrë rigoroze. Objekti dhe qëllimi i Konventës, si një instrument për mbrojtjen e qenieve njerëzore, kërkon gjithashtu që neni 2 të interpretohet dhe të zbatohet në mënyrë që ta bëjë mbrojtjen e saj praktike dhe efektive (shih Solomu dhe të Tjerë, cituar më lart, § 63). Në veçanti, Gjykata është shprehur se hapja e zjarrit duhet, kur është e mundur, të paraprihet nga të shtëna paralajmëruese (shih Kallis dhe Androulla Panayi kundër Turqisë, nr. 45388/99, § 62, 27 tetor 2009; shih gjithashtu, në veçanti, paragrafin 10 të Parimeve të OKB-së, paragrafi 154 më lart).
178. Përdorimi i forcës nga agjentët e Shtetit në arritjen e një prej qëllimeve të përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 2 të Konventës, mund të justifikohet sipas kësaj dispozite nëse bazohet në një besimin të ndershëm, i cili perceptohej, për shkaqe të mirëqena, se ishte i vlefshëm në atë kohë, por që më pas rezulton të jetë i gabuar. Nëse nuk do parashikohej kështu do vendosej një barrë joreale për shtetin dhe personelin e tij të zbatimit të ligjit në kryerjen e detyrave të tyre, ndoshta në dëm të jetës së tyre dhe të të tjerëve (shih McCann dhe të Tjerë, cituar më lart, § 200, dhe Andronicou dhe Constantinou, cituar më sipër, § 192).
179. Kur thirren për të shqyrtuar nëse përdorimi i forcës vdekjeprurëse ishte legjitim, Gjykata, e shkëputur nga ngjarjet në fjalë, nuk mund të zëvendësojë vlerësimin e saj për situatën me atë të një oficeri të cilit i është dashur të reagojë në një moment kritik për të shmangur një rrezik, të perceptuar ndershmërisht, ndaj jetës së tij (shih Bubbins kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 50196/99, § 139, ECHR 2005-II).
180. Gjykata duhet gjithashtu të jetë e kujdesshme në marrjen e rolit të një gjykate të shkallës së parë të faktit, përveçse kur kjo është e pashmangshme në rrethanat e një rasti të veçantë (shih, për shembull, McKerr kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 28883/95, 4 prill 2000). Si rregull i përgjithshëm, kur janë zhvilluar procedurat vendase, nuk është detyrë e Gjykatës të zëvendësojë vlerësimin e vet të fakteve me atë të gjykatave vendase dhe u takon këtyre të fundit për të përcaktuar faktet në bazë të provave që paraqiten para tyre (shih, midis vendimesh të tjera, Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, 16 dhjetor 1992, § 34, Seria A nr. 247 B, dhe Klaas kundër Gjermanisë, 22 shtator 1993, § 29, Seria A nr. 269). Edhe pse Gjykata nuk është e detyruar të pranojë përfundimet e gjykatave vendase dhe është e lirë për të bërë vlerësimin e vet në dritën e të gjitha materialeve të paraqitura para saj, në rrethana normale kërkohen elemente bindëse për ta bërë atë të shmanget nga përfundimet e arritura nga gjykatat vendase të faktit (shih Avşar, cituar më lart, § 283, dhe Barbu Anghelescu kundër Rumaninë, nr. 46430/99, § 52, 5 tetor 2004).
181. Për të vlerësuar elementët faktikë, Gjykata përdor standardin e provës "përtej dyshimit të arsyeshëm", por shton se një provë e tillë mund të vijë nga bashkë ekzistenca e shumë treguesve ose e supozimeve faktike mjaft të forta, të qarta të pakundërshtueshme dhe që përputhen. Në këtë kontekst, sjellja e palëve, kur prova është duke u marrë, mund të merret gjithashtu në konsideratë (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, § 161, Seria A nr. 25, dhe Orhan kundër Turqisë, nr. 25656/94, § 264, 18 qershor 2002). Për më tepër, niveli i bindjes së nevojshme për të arritur në një konkluzion të veçantë dhe, në lidhje me këtë, shpërndarja e barrës së provës janë të lidhura thellësisht me specifikat e fakteve, natyrën e akuzave të ngritura dhe të drejtën në fjalë të Konventës. Gjykata është gjithashtu e vëmendshme për seriozitetin që i kushton një vendimi që një Shtet Kontraktues ka shkelur të drejtat themelore (shih Ribitsch kundër Austrisë, 4 dhjetor 1995, § 32, Seria A nr. 336; Ilaşcu dhe të Tjerët kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, § 26, GJEDNJ 2004 VII;. Nachova dhe të tjerë kundër Bullgarisë [GC], nr 43577/98 dhe 43579/98, § 147, ECHR 2005-VII; dhe Solomu dhe të Tjerë, cituar më lart, § 66).
182. Gjykata duhet të jetë veçanërisht vigjilente në rastet kur vëren shkelje të neneve 2 dhe 3 të kësaj Konvente (shih, mutatis mutandis, Ribitsch, cituar më lart, § 32). Kur ka pasur procedura penale në gjykatat vendase në lidhje me akuzat e tilla, duhet të kihet parasysh se përgjegjësia ligjore penale dallon nga përgjegjësia e shtetit sipas Konventës. Kompetenca e Gjykatës kufizohet në këtë të fundit. Përgjegjësia në bazë të Konventës është e bazuar në dispozitat e veta të cilat do të interpretohen në dritën e objektit dhe qëllimit të Konventës, duke marrë parasysh të gjitha rregullat dhe parimet përkatëse të së drejtës ndërkombëtare. Përgjegjësia e një shteti në bazë të Konventës, përgjegjësi kjo që rrjedh nga aktet e organeve agjentët dhe nëpunësit të tij, nuk duhet të ngatërrohet me çështje të brendshme ligjore të përgjegjësisë individuale penale në shqyrtim në gjykatat kombëtare të krimeve. Gjykata nuk është e kompetente pët të vendosur mbi gjetjen e fajësisë apo pafajësinë në kuptimin e së drejtës penale (shih Tanlı kundër Turqisë, nr. 26129/95, § 111, ECHR 2001-III, dhe Avşar, cituar më sipër, § 284).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në çështjen konkrete
183. Gjykata e konsideron të përshtatshme për të filluar analizën e vet mbi bazën e fakteve të mëposhtme, të cilat nuk janë të diskutueshme ndërmjet palëve. Më 20 korrik 2001, gjatë ditës, përleshje të shumta kanë ndodhur ndërmjet demonstruesve dhe organeve të zbatimit të ligjit: në veçanti, ishte sulmuar Burgu Marassi (shih paragrafin 134 më sipër), karabinierët kishin sulmuar marshimin e Tute Bianche (shih paragrafët 18-19, 122-124 dhe 132-136 lart) dhe një automjet i blinduar i cili u përkiste karabinierëve i ishte vënë zjarri (shih paragrafin 20 më lart). Pas këtyre incidenteve, rreth orës 17:00, kur situata ishte relativisht e qetë, një batalion i karabinierëve zuri pozicione në Piazza Alimonda, ku ishin dy xhipa Defender, në bordin e njërit prej të cilit ishin dy karabinierët, M.P. dhe D.R., të cilët ishin të paaftë që të vazhdonin të qëndronin në detyrë (shih paragrafët 21, 23 dhe 29 më lart).
184. Menjëherë pas kësaj, karabinierët lanë pozicionet e tyre për t’u përballur me një grup agresiv demonstruesish; xhipat ndoqën karabinierët. Megjithatë, karabinierët u detyruan të tërhiqeshin shpejt pasi demonstruesit po përparonin suksesshëm drejt tyre duke i detyruar të zmbrapseshin. Kështu, xhipat u përpoqën të ktheheshin prapa, por njëri prej tyre, në të cilin ndodheshin M.P. dhe D.R. e gjetën rrugën të bllokuar nga një kazan mbeturinash i përmbysur dhe nuk ishte në gjendje të largoheshin nga vendi shpejt pasi motori i xhipit nuk po ndizej (shih paragrafët 21-22 më lart).
185. Kjo është një nga ato çështjet e rralla në të cilën momentet kryesore para dhe pas përdorimit të forcës vdekjeprurëse nga një agjent i shtetit ishin fotografuar dhe filmuar. Prandaj, Gjykata nuk mund të mos u jepte rëndësi të konsiderueshme, pamjeve video të paraqitura nga palët, të cilat ajo kishte pasur mundësi për t’i parë (shih paragrafët 9 dhe 139 më lart) dhe vërtetësia e të cilave nuk vihej në pikëpyetje.
186. Filmimi dhe fotografitë në dosje tregojnë se, sapo xhipi i drejtuar nga F.C. e kishte të pamundur të lëvizte për shkak të kazanit të mbeturinave, ai u sulmua dhe së paku pjesërisht u rrethua nga demonstruesit, të cilët nisën një sulm të rreptë mbi automjetin dhe personat në të, duke u munduar për ta kthyer atë anash dhe duke hedhur gurë dhe objekte të tjera të forta. Dritarja e pasme e xhipit u thye dhe automjeti u godit me një bombol zjarrfikës, të cilën M.P. arriti ta shmangë. Videoja dhe fotografitë tregojnë gjithashtu një demonstrues i cili futi një binar druri nga dritarja anësore, duke i shkaktuar lëndime në sup D.R., karabinieri tjetër i cili ishte nxjerrë jashtë shërbimit (shih paragrafin 84 më lart).
187. Ishte mjaft qartë një sulm i paligjshëm dhe shumë i dhunshëm ndaj një automjeti të organeve të zbatimit të ligjit i cili thjesht po përpiqej të largohej dhe nuk përbënte asnjë kërcënim për demonstruesit. Çfarëdo të kenë qenë synimet e demonstruesve kundrejt automjetit dhe/ose personave në të, mbetet fakti se mundësia e linçimit nuk mund të përjashtohet, siç vuri në dukje gjithashtu Gjykata e Rrethit të Gjenovës (shih paragrafin 128 më lart).
188. Gjykata përsërit në këtë drejtim, nevojën për të shqyrtuar ngjarjet nga këndvështrimi i viktimave të sulmit në kohën e ngjarjeve (shih paragrafin 179 më lart). Është e vërtetë, për shembull, se karabinierët e tjerë të pozicionuar në afërsi, të cilët mund të kishin ndërhyrë për të ndihmuar personat në xhip, e kishin përkeqësuar më shumë situatën. Megjithatë, ky fakt nuk mund të dihej nga M.P., i cili, i plagosur dhe i pushtuar nga paniku, ishte e shtrirë në pjesën e prapme të automjetit, i rrethuar nga një numër i madh i demonstruesve dhe rrjedhimisht nuk mund të ketë pasur një pamje të qartë të pozicionimit të trupat në terren ose opsionet logjistike në dispozicion të tyre. Siç tregojnë pamjet, xhipi ishte tërësisht në mëshirën e demonstruesve pak para të shtënave fatale.
189. Në dritën e sa më sipër, dhe duke pasur parasysh natyrën jashtëzakonisht të dhunshme të sulmit mbi xhip, siç shihet në imazhet të cilat Gjykata i ka parë, çmon se M.P. kishte vepruar në besimin e ndershëm se jeta dhe integriteti i tij fizik, dhe i kolegëve të tij, ishte në rrezik për shkak të sulmit të paligjshëm ndaj tyre. M.P. kishte të drejtë për të përdorur, në përputhje me rrethanat, mjetet e duhura për të mbrojtur veten dhe njerëzit e tjerë në xhip.
190. Siç tregohet nga fotografitë dhe dëshmitë e M.P. dhe siç disa nga demonstruesit kishin konfirmuar (shih paragrafët 36, 39 dhe 45 më lart), përpara se të qëllonte, M.P. kishte treguar pistoletën e tij duke shtrirë dorën në drejtim të dritares së pasme të xhipit, dhe kishte bërtitur në drejtim të demonstruesve duke u bërë thirrje të largoheshin nëse nuk donin të vriteshin. Sipas mendimit të Gjykatës, veprimet e M.P. dhe fjalët ishin një paralajmërim i qartë se ai ishte gati për të hapur zjarr. Për më tepër, fotografitë tregonin të paktën një demonstrues i cili largohej me ngut nga vendi i ngjarjes pikërisht në atë moment.
191. Në këtë situatë tejet të tensionuar Carlo Giuliani ka vendosur që të marrë një bombol zjarrfikëse i cila gjendej e shtrirë në tokë, dhe e ngriti atë në lartësinë e gjoksit me qëllimin e dukshëm për t’ua hedhur atë personave brenda në automjet. Veprimet e tij mund të interpretohen nga M.P. në mënyrë të arsyeshme, si një tregues se, pavarësisht paralajmërimeve të këtij të fundit dhe faktit se ai e kishte treguar armën e tij, sulmi në xhip nuk do pushonte apo intensiteti i tij nuk do të zvogëlohej. Për më tepër, shumica e demonstruesve dukeshin se vazhdonin sulmin. Besimi i sinqertë i M.P. se jeta e tij ishte në rrezik vetëm mund të ishte forcuar si rezultat i kësaj. Sipas mendimit të Gjykatës, kjo ka shërbyer si justifikim për t’iu drejtuar përdorimit të një mjeti potencialisht vdekjeprurës të mbrojtjes si të shtënat me armë zjarri.
192. Gjykata vëren më tej se drejtimi i të shtënave nuk ishte përcaktuar me siguri. Sipas një teorie e cila mbështetej nga ekspertët e caktuar nga prokurori (shih paragrafët 60-62 më lart) dhe e kundërshtuar nga kërkuesit (shih paragrafët 80 dhe 159 më lart), por e pranuar nga GIP e Gjenovës (shih paragrafët 87-91 më lart), M.P. kishte gjuajtur lart dhe një nga plumbat e kishte goditur viktimën, pasi kishte devijuar aksidentalisht nga një prej gurëve të shumtë të hedhur nga demonstruesit. Nëse provohej kjo, atëherë mund të arrihej në përfundimin se vdekja e Carlo Giuliani ishte rezultat i një goditje fatkeqe, një ngjarje e rrallë dhe e paparashikueshme që shkaktoi goditjen e tij nga një plumb i cili në të kundërt do të ishte zhdukur në ajër (shih, në veçanti, Bakan kundër Turqisë, nr. 50939/99, §§ 52-56, 12 qershor 2007, në të cilën Gjykata nuk gjeti shkelje të nenit 2 të Konventës, pasi plumbi fatal kishte bërë rikoshet para se të godiste të afërmin e kërkuesve).
193. Megjithatë, në rastin konkret Gjykata nuk e konsideron të nevojshme për të shqyrtuar besueshmërinë e "teorisë së objektit të ndërmjetëm", lidhur me të cilën ka pasur mosmarrëveshje midis ekspertëve, të cilët kishin kryer setin e tretë të testeve balistike, ekspertëve të kërkuesve dhe përfundimeve të raportit të autopsisë (shih paragrafët 60-62, 66 dhe 50 më lart). Ajo thjesht vëren se, si GIP e Gjenovës me të drejtë kishte vënë në dukje (shih paragrafin 92 më sipër), dhe siç tregohet nga fotografitë, se fushëpamja e M.P. ishte e kufizuar nga goma rezervë e xhipit, pasi ai ishte gjysmë i shtrirë ose i mbledhur kruspull brenda automjetit. Duke pasur parasysh se, pavarësisht nga paralajmërimet e tij, demonstruesit po insistonin me sulme të vazhdueshme dhe se rreziku që i kanosej - në veçanti, me shumë gjasa një përpjekje e dytë për t’i hedhur një bombol zjarrfikëse - ishte e pashmangshme, M.P. vetëm mund të qëllonte, në mënyrë që të mbronte veten, në hapësirë të ngushtë ndërmjet rrotës rezervë dhe çatisë së xhipit. Fakti që një e shtëne në ajër rrezikon të shkaktojë lëndime të njërit prej sulmuesve, apo edhe vrasjen e tij, siç ishte fatkeqësisht rasti konkret, nuk do të thotë se në vetvete se veprimi mbrojtëse ishte i tepruar apo joproporcional.
194. Në dritën e sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se në rastin konkret përdorimi i forcës vdekjeprurëse ishte absolutisht i nevojashëm "në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme" brenda kuptimit të nenit 2 § 2 (a) të Konventës (shih paragrafin 176 lart).
195. Ajo vijon se, nuk ka pasur shkelje të elementit material të nenit 2 në këtë drejtim.
196. Ky konstatim e bën të panevojshme për Gjykatën shqyrtimin nëse përdorimi i forcës ishte gjithashtu i pashmangshëm "për të kundërshtuar në përputhje me ligjin, një trazirë ose kryengritje" brenda kuptimit të nën paragrafit (c) të paragrafit 2 të nenit 2.
B. Nëse shteti i paditur mori masat e nevojshme legjislative, administrative dhe rregullatore për të zvogëluar sa më shumë të ishte e mundur pasojat negative të përdorimit të forcës
197. Kërkuesit pretenduan, ashtu siç kishin bërë edhe para Dhomës, për mangësi në kuadrin e brendshëm legjislativ. Qeveria i kundërshtoi pretendimet e tyre. Dhoma nuk e kishte shqyrtuar këtë çështje.
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesit
198. Kërkuesit pretendonin se, mungonte një kornizë ligjore për të mbrojtur jetën e demonstruesve. Në parashtrimet e tyre, legjislacioni i brendshëm e kishte bërë përdorimin e armëve të zjarrit të pashmangshëm, siç demonstrohet nga fakti se çështja ishte pushuar për shkak se veprimet e M.P. binin brenda fushëveprimit të neneve 52 dhe 53 të KP. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një kornizë legjislative joadekuate reduktonte mbrojtjen ligjore të së drejtës së jetës, e nevojshme në një shoqëri demokratike. Kërkuesit tërhoqën vëmendjen e Gjykatës në mënyrë të veçantë për pikat e mëposhtme.
(i) Dështimi për të pajisur forcat e zbatimit të ligjit me armë jo vdekjeprurëse
199. Kërkuesit nënvizuan faktin se M.P. nuk do të kishte vrarë askënd, nëse ai do kishte qenë i pajisur me një armë jo vdekjeprurëse, siç është arma e zjarrit me plumba gome (ata iu referuan Güleç kundër Turqisë, 27 korrik 1998, § 71, Raportet 1998-IV, dhe Shimshek dhe të Tjerët kundër Turqisë, nr. 35072/97 dhe 37194/97, § 111, 26 korrik 2005). Pasur parasysh rëndësinë parësore që ka respektimi për jetën e njeriut dhe detyrimin për të minimizuar rrezikun për jetën, forcat e zbatimit të ligjit duhet të ishin pajisur me armë jo vdekjeprurëse (të tilla si armë elektrike trullose, armë me lëndë ngjitëse apo armë me plumba gome) gjatë demonstratave; ky ishte rasti i Mbretërisë së Bashkuar dhe kishte qenë edhe rasti në samitin e G20 në Pitsburg. Në këtë pikë, kërkuesit u mbështeten në paragrafin 2 të Parimeve të OKB-së (shih paragrafin 154 më lart), duke vërejtur se, në rastin konkret kishte qenë e lehtë për të parashikuar se do të ndodhnin trazirat. Pistoletë Bereta SB 9 mm parabellum që mbante M.P. ishte një pistoletë gjysmë automatike e klasifikuar si një armë luftarake sipas legjislacionit italian: kur karikohej, nuk ishte me e nevojshme të rimbushej për të shtënat e mëpasshme dhe mund të bënte pesëmbëdhjetë të shtëna brenda disa sekondave, me shpejtësi dhe me një shkallë të lartë të saktësie.
200. Gjatë hetimi parlamentar, Qeveria kishte deklaruar se legjislacioni në fuqi nuk lejonte përdorimin e armëve të tilla jo-vdekjeprurëse, të tilla si armë me plumba gome (shih paragrafët 118-119 më sipër). Ky pohim ishte i gabuar, pasi këto armë ishin caktuar posaçërisht në rregullat e angazhimit të lëshuara ndaj forcave italiane në Irak, të cilët kishin për detyrë ruajtjen e rendit dhe ligjit në një zonë lufte.
201. Për më tepër, ndërsa ishte e vërtetë se plumbat e gomës mund të jenë të rrezikshëm në disa rrethana, ata nuk mund të krahasohen me plumbat e vërtetë (kërkuesit iu referuan, në veçanti çështjes së Kathleen Stewart, cituar më lart, § 28). Kërkuesit gjithashtu deklaruan se, disa karabinierë kishin përdorur armë të parregullta si shkopinj metalikë.
(ii) Mungesa në ligjin italian e dispozitave adekuate që rregullojnë përdorimin e armëve vdekjeprurëse gjatë demonstratave
202. Kërkuesit vërejtën se dispozitat përkatëse mbi përdorimin e forcës nga ana e forcave të zbatimit të ligjit ishin neni 53 i KP dhe nenit 24 i Kodit të Sigurisë Publike (shih paragrafët 143 dhe 146 më lart). Ato dispozita, të miratuara në vitin 1930 dhe 1931, gjatë epokës fashiste, nuk ishin në përputhje me standardet më të fundit ndërkombëtare ose me parimet liberale ligjore. Ata ishin tregues i autoritarizmit që kishte mbretëruar në atë kohë. Në veçanti, konceptet e "nevojës" që legjitimon përdorimin e armëve dhe "përdorimin e forcës" nuk ishin ekuivalente me parimet e zhvilluara nga jurisprudenca e Strasburgut, i cila bazohej në "nevojë absolute".
203. Për më tepër, sipas nenit 52 të KP, vetë-mbrojtja justifikohet kur "përgjigja mbrojtëse është në proporcion me sulmin". Kjo nuk ishte në asnjë mënyrë ekuivalente me shprehjet "absolutisht e pashmangshme për të mbrojtur jetën" dhe "absolutisht proporcionale [me rrethanat]", të cilat vëreheshin në jurisprudencën e Gjykatës.
204. Përveç kësaj, nuk ka pasur rregulla të qarta në Itali në përputhje me standardet ndërkombëtare në lidhje me përdorimin e armëve të zjarrit. Asnjë nga e urdhrat e shërbimit të kuestorit të Gjenovës, të paraqitura nga Qeveria, nuk e trajtonte këtë çështje. Kërkuesit iu referuan Parimeve të OKB-së (shih paragrafin 154 më sipër), dhe në veçanti detyrimeve të qeverive dhe organeve të zbatimit të ligjit për të miratuar dhe zbatuar rregullat dhe rregulloret në këtë fushë (paragrafi 1). Ata më tej iu referuan paragrafit 11, i cili specifikon çfarë duhet të përmbajnë këto rregulla dhe rregullore.
(b) Qeveria
205. Qeveria para së gjithash deklaroi se, e drejta italiane nuk lejonte përdorimin e plumbave të gomës. Këto të fundit mund të shkaktonin humbjen e jetës nëse gjuheshin nga një distancë prej më pak se pesëdhjetë metra (Qeveria iu referua Kathleen Stewart, cituar më lart). Në rastin konkret distanca ndërmjet M.P. dhe Carlo Giuliani kishte qenë më pak se një metër, që do të thoshte se edhe një plumb gome do të kishte qenë fatal. Eksperimentet me armë dhe municione "jo vdekjeprurëse", të kryera në vitin 1980, ishin ndaluar pasi kishin sjellë incidente të cilat treguan se ata ishin të aftë për të vrarë apo për të shkaktuar lëndime shumë serioze. Për më tepër, plumbat e gomës do të nxisnin forcat e rendit për të përdorur armë duke besuar në mënyre të gabuar se ata nuk do të shkaktonin asnjë dëm.
206. Në çdo rast, armët me municion luftarak ishin projektuar për mbrojtje personale në rast të rrezikut të drejtpërdrejtë dhe serioz dhe nuk ishin përdorur për qëllime të rendit publik: forcat e zbatimit të ligjit në Itali nuk hapnin zjarr mbi turmat, as plumba të vërtetë dhe as gome. Armët jo-vdekjeprurëse ishin projektuar për përdorim kundër turmave të mëdha, në mënyrë për të luftuar një sulm masiv nga demonstruesit dhe për t’i shpërndarë ato. Në rastin konkret, organet e zbatimit të ligjit nuk ishin urdhëruar në asnjë moment për të hapur zjarr dhe pajisjet e tyre ishin të destinuara për mbrojtjen e tyre personale.
207. Nuk ishin parashikuar dispozita të veçanta në lidhje me përdorimin e armëve të zjarrit gjatë samitin të G8, por urdhrat e nxjerra nga komanda e lartë e karabinierëve u ishin referuar dispozitave të KP.
3. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme
208. Neni 2 § 1 jo vetëm që i ndalon Shtetet nga marrja e qëllimshme dhe e paligjshme e jetës, por edhe kërkon prej tyre marrjen e hapave të duhura për të mbrojtur jetën brenda juridiksionit të tyre (shih L.C.B kundër Mbretërisë së Bashkuar, 9 qershor 1998, § 36, Raportet 1998-III, dhe Osman kundër Mbretërisë së Bashkuar, 28 tetor 1998, § 115, Raportet 1998-VIII).
209. Detyrë parësore e Shtetit për të siguruar të drejtën e jetës përfshin, në veçanti, krijimin e një kuadri të përshtatshëm ligjor dhe administrativ që përcaktojë rrethanat e kufizuara, në të cilat forcat e zbatimit të ligjit mund të përdorin forcën dhe armët e zjarrit, në dritën e standardeve përkatëse ndërkombëtare (shih Makaratzis kundër Greqisë [GC], nr 50385/99, §§ 57-59, ECHR 2004-XI, dhe Bakan, cituar më lart, § 49; shih gjithashtu paragrafët përkatës të Parimeve të OKB-së, paragrafi 154 më lart). Në përputhje me parimin proporcionalitetit rigoroz që qëndron në bazë të nenit 2 (shih paragrafin 176 më lart), kuadri ligjor kombëtar duhet të bëjë një vlerësim të kujdesshëm të situatave për t’ju drejtuar përdorimit të armëve të zjarrit (shih, mutatis mutandis, Nachova dhe të Tjerë, cituar më lart, § 96). Për më tepër, legjislacioni kombëtar që rregullon operacionet policore duhet të sigurojë një sistem të mbrojtjes adekuate dhe efektive kundër arbitraritetit dhe abuzimit me forcën e përdorur dhe madje edhe kundër aksidentit të shmangshëm (shih Makaratzis, cituar më lart, § 58).
210. Ne zbatim të këtyre parimeve, Gjykata, për shembull, e ka karakterizuar si me mangësi kuadrin ligjor bullgar, që lejonte policinë për të qëlluar ndaj një anëtari të arratisur të forcave të armatosura që nuk dorëzohet menjëherë në përgjigje të një paralajmërimi me gojë dhe me një të shtënë paralajmëruese në ajër, pasi nuk përmbante garanci të qarta për të parandaluar privimin arbitrar të jetës (shih Nachova dhe të Tjerë, cituar më lart, §§ 99-102). Gjykata, gjithashtu ka identifikuar mangësi në kuadrin ligjor turk, i miratuar në vitin 1934, sipas së cilit përcaktohej një gamë e gjerë situatash në të cilat një oficer i policisë mund të përdorte armët e zjarrit pa qenë përgjegjës për pasojat (shih Erdoan dhe të Tjerët kundër Turqisë, nr. 19807/92, §§ 77-78, 25 prill 2006). Nga ana tjetër, ajo u shpreh se një rregullore, e cila përcakton një listë të gjerë të situatave në të cilat xhandarët mund të përdorin armët e zjarrit ishte në përputhje me Konventën. Rregullorja përcaktonte se përdorimi i armëve të zjarrit duhej të parashikohej vetëm si një mjet i fundit dhe duhej të paraprihej nga një e shtënë paralajmëruese, para se të qëllohej në këmbë ose diku tjetër (shih Bakan, cituar më lart, § 51).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në rastin konkret
211. Gjykata vëren se sipas qëndrimit të mbajtur nga GIP e Gjenovës legjitimiteti i përdorimit të forcës nga ana e M.P. duhej të vlerësohej në dritën e neneve 52 dhe 53 të KP. Prandaj konsideron se këto dispozita përbëjnë, në rastin konkret, kuadrin ligjor që përcakton rrethanat në të cilat përdorimi i armëve të zjarrit është i autorizuar.
212. Dispozita e parë ka të bëjë me përjashtimin në rastin e mbrojtjes së nevojshme, një koncept i përbashkët në sistemet ligjore të shteteve kontraktuese. Ajo i referohet "nevojës" për veprime mbrojtëse dhe natyrës "reale" të rrezikut, dhe kërkon që përgjigja mbrojtëse të jetë në proporcion me sulmin (shih paragrafin 144 më lart). Edhe pse jo në terma identikë, kjo dispozitë përsërit formulimin e nenit 2 të Konventës dhe përmban elementet e kërkuara nga jurisprudenca e Gjykatës.
213. Neni 53 i KP, edhe pse i formuluar në terma të paqartë, megjithatë kërkon që personi në fjalë të jetë i "detyruar" të veprojë në mënyrë që të pengojë një akt të dhunës (shih paragrafin 143 më sipër).
214. Është e vërtetë se nga një këndvështrim thjesht gjuhësor "nevoja" e përmendur në legjislacionin italian duket se i referohet thjesht ekzistencës së një nevoje të ngutshme, ndërsa "nevoja absolute" për qëllimet të Konventës kërkon që, kur janë në dispozicion mjetet të ndryshme për të arritur qëllimin e njëjtë, duhet të zgjidhet mjeti që përbën më pak rrezik për jetën e të tjerëve. Megjithatë, ky ndryshim në formulim mund të tejkalohet me interpretimin e gjykatave vendase. Siç është e qartë nga vendimi për të pushuar çështjen, gjykatat italiane e kanë interpretuar nenin 52 të KP se, autorizon përdorimin e forcës vdekjeprurëse vetëm si mjetin e fundit, ku mjetet e tjera, më pak e dëmshme, nuk do të zmbrapsin rrezikun (shih paragrafin 101 më sipër, i cili përmend referencat e bëra nga GIP e Gjenovës ndaj jurisprudencës së Gjykatën e Kasacionit në këtë fushë).
215. Ajo vijon më tej se, dallimet ndërmjet standardeve të përcaktuara dhe termit "absolutisht e nevojshme", në nenin 2 § 2 nuk janë të mjaftueshme për të konkluduar vetëm mbi këtë bazë se, nuk ka një kuadër ligjor kombëtar të përshtatshëm. (shih Perk dhe të Tjerët kundër Turqisë, nr. 50.739 / 99, § 60, 28 mars 2006, dhe Bakan, cituar më lart, § 51; shih gjithashtu, në ndryshim, Nachova dhe Të tjerë, cituar më lart, §§ 96-102).
216. Pretendimi tjetër i kërkuesve lidhej me faktin se forcat e zbatimit të ligjit nuk ishin të pajisura me armë jo vdekjeprurëse, dhe në veçanti me armë me plumba gome. Megjithatë, Gjykata vëren se oficerët në terren kishin në dispozicion të tyre mjete për shpërndarjen dhe kontrollin e turmës që nuk ishin të rrezikshme për jetën, në formën e gazit lotsjellës (shih, në ndryshim, Güleç, cituar më lart, § 71, dhe Shimshek, cituar më lart, §§ 108 dhe 111). Në terma të përgjithshme, ka vend për debat mbi faktin nëse forcat e zbatimit të ligjit duhet të pajisen me pajisje të tjera të këtij lloji, të tilla si makinat me ujë dhe armë të cilat përdorin municion jo-vdekjeprurës. Megjithatë, diskutimet e tilla nuk janë relevante në rastin në fjalë, në të cilën vdekja nuk ka ndodhur në rrjedhën e një operacioni për të shpërndarë demonstruesit dhe kontrolluar turmë e marshuesve, por gjatë një sulmi të papritur dhe të dhunshëm i cili, siç ka vërejtur Gjykata (shih paragrafët 185-189 më sipër), përbënte një kërcënim serioz për jetën e tre karabinierëve. Konventa, siç interpretohet nga Gjykata, nuk përbën bazë për të konkluduar se organet e zbatimit të ligjit nuk duhet të kenë të drejtë të pajisen me armë vdekjeprurëse për t’iu kundërvënë sulmeve të tilla.
217. Së fundi, lidhur me pretendimet e kërkuesve se disa karabinierë kishin përdorur armë të parregullta , të tilla si shkopinj metalikë (shih paragrafin 201 më sipër), Gjykata nuk gjeti ndonjë lidhje midis kësaj rrethane dhe vdekjes së Carlo Giuliani.
218. Ajo më tej vijon se, nuk ka pasur shkelje të elementit material të nenit 2 të Konventës për sa i përket kornizës ligjore për rregullimin e brendshëm të përdorimit të forcës vdekjeprurëse apo lidhur me armëve me të cilat ishin pajisur forcat e zbatimit të ligjit, gjatë samitit të G8 në Gjenovë.
C. Nëse organizimi dhe planifikimi i operacioneve policore ishin në përputhje me detyrimin për të mbrojtur jetën sipas nenit 2 të Konventës
219. Kërkuesit parashtruan se përgjegjësia e Shtetit lidhej gjithashtu edhe me mangësitë në organizimin, planifikimin dhe menaxhimin e operacioneve të rendit publik. Qeveria e kundërshtoi këtë argument.
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesit
220. Në parashtrimet e kërkuesve, planifikimi dhe zhvillimi i operacioneve të forcave të zbatimit të ligjit ishte shoqëruar nga një numër dështimesh, lëshimesh dhe gabimesh. Ata pretendonin se jeta e Carlo Giuliani mund të ishte shpëtuar në qoftë se do të ishin marrë masat e duhura. Ata iu referuan në veçanti rrethanave të mëposhtme.
(i) Mungesa e një zinxhiri të qartë komande dhe një organizimi të duhur të operacioneve
221. Kërkuesit theksuan se ishin berë ndryshime lidhur me organizimin e operacioneve në prag të demonstratave, duke i dhënë një rol dinamik karabinierëve (më tepër se një kontingjenti të palëvizshëm, siç ishte planifikuar fillimisht). Oficerët komandues ishin njoftuar për ndryshimin gojarisht në mëngjesin e 20 korrikut. Si ishte e qartë nga dëshmitë e dhëna gjatë " gjyqit të njëzet e pesëve" nga oficeri policisë Lauro dhe oficeri i karabinierisë Zappia, se oficerët komandues nuk kishin qenë të informuar saktë lidhur me vendimin për autorizimin të marshimit të Tute Bianche. Për më tepër, forcat e zbatimit të ligjit të dislokuara në Gjenovë nuk ishin të familjarizura me qytetin dhe rrugët e tij.
222. Sistemi i komunikimit i zgjedhur nuk jepte mundësi për një shkëmbim të mirë informacioni ndërmjet qendrave operative të policisë dhe karabinierëve dhe mungonte kontakti i drejtpërdrejtë në radio ndërmjet policëve dhe karabinierëve. Në këndvështrimin e kërkuesve, këto anomali kishin çuar në situatën kritike në të cilën M.P. e kishte gjetur veten dhe që e bëri atë të përdorte forcë vdekjeprurëse. Kishte një lidhje shkak-pasojë këtu që Dhoma nuk e kishte identifikuar. Kërkuesit vunë në dukje në këtë drejtim që operacionet policore duhej të organizoheshin dhe të planifikoheshin në mënyrë të tillë që të shmangnin çdo arbitraritet, abuzim të forcës apo incident të parashikueshëm. Ata iu referuan jurisprudencës së Gjykatës (Makaratzis, cituar më lart, § 68), paragrafit 24 të Parimeve të OKB-së dhe pjesërisht mendimit përbashkët në pakicë të Gjyqtarit Bratza dhe Gjyqtarit Šikuta, bashkëngjitur vendimit të Dhomës.
223. Mungesa e një zinxhiri të qartë komande kishte qenë arsyeja për sulmin e karabinierëve ndaj marshimit Tute Bianche dhe për faktin se disa orë më vonë xhipat kishin ndjekur karabinierët, pasi nuk kishin marrë asnjë udhëzim për të vepruar ndryshe. M.P., të cilit i ishte dhënë leje për të hipur në njërin nga xhipat, kishte pësuar djegie, ishte duke reaguar keq ndaj maskës së gazit që mbante, kishte vështirësi në frymëmarrje, ishte plagosur dhe ishte pushtuar nga paniku. Ndonëse detyra e xhipit kishte qenë të transportonte M.P. dhe D.R. në spital, ai nuk e kishte lënë Piazza Alimonda përpara sulmit të karabinierëve, dhe ata të dy , në ankth dhe në një gjendje mjaft të vështirë nervore, kishin mbetur në pjesën e prapme të automjetit
224. Hetimi nuk kishte dhënë ndonjë shpjegim se pse xhipat kishin ndjekur kontingjentin kur ky i fundit ishte zhvendosur për t’u përballur me një grup të demonstruesve. Oficerët Lauro dhe Cappello, i cili komandonte , deklaruan në "gjyqin e të njëzet e pesëve", se ata nuk i kishin vënë re dy xhipa që u vinin pas. Oficeri Cappello gjithashtu deklaroi: "Xhipi që na ndjek nga mbrapa duhet të jetë i blinduar, ndryshe është vetëvrasje". Për më tepër, xhipat kishin mbetur pa mbikëqyrje, prova të mëtejshme që tregojnë për mungesën e organizimit të operacionit për zbatimin e ligjit.
(ii) Gjendja fizike dhe mendore e M.P. dhe mungesa e trajnimit të tij
225. Kërkuesit theksuan se, për shkak të gjendjes së tij fizike dhe mendore, M.P. ishte gjykuar nga eprorët si i paaftë për të qëndruar në krye të detyrës. Megjithatë, atij i ishte lënë në posedim një armë e mbushur me municion dhe në vend që të dërgohej direkt në spital ishte lejuar të hipte në një xhip i cili nuk kishte asnjë mbrojtje. Situata e M.P. e kishte penguar atë nga një vlerësim i saktë i rrezikut me të cilin ai ballafaqohej. Nëse ai do të kishte marrë trajnimin e duhur ai nuk do të ishte panikuar dhe do të kishte kapacitetin e nevojshëm mendor për të vlerësuar dhe të trajtonte siç duhej situatën. Goditjet do të ishin evituar nëse pjesa e pasme e xhipit dhe dritaret anësore do të ishin pajisur me grila metalike mbrojtëse dhe nëse arma e gazit lotsjellës nuk do t’i ishte hequr M.P. mund ta kishte përdorur për të mbrojtur veten e tij.
226. M.P., i cili ishte njëzet vjeç në kohën e G8 (shih paragrafin 35 më sipër), ishte i ri dhe papërvojë. Ai kishte qenë me karabinierët, ku po kryente edhe shërbimin ushtarak, për vetëm dhjetë muaj. Ai kishte marrë pjesë në një kurs tre-mujor në qendrën e trajnimit të karabinierëve dhe një kurs një-javor në qendrën Velletri, i cili në thelb përbënte trajnim për të luftuar (në kundërshtim me paragrafin 20 të Parimeve të OKB-së). Prandaj, sipas kërkuesve, ai nuk kishte marrë trajnimin e duhur në përdorimin e armëve të zjarrit dhe nuk u ishte nënshtruar testeve të nevojshme mendore, të kapacitetit fizik dhe psikologjik. Duke i vënë atij në dispozicion një armë vdekjeprurëse gjatë samitit të G8, autoritetet kishin vendosur si demonstruesit ashtu dhe personelin e zbatimit të ligjit në rrezik të konsiderueshëm.
227. Dy karabinierët e tjerë në xhip, gjithashtu kishin qenë shumë të rinj dhe pa eksperiencë: D.R. kishte qenë nëntëmbëdhjetë vjeç e gjysmë dhe kishte qenë në shërbim ushtarak për katër muaj, ndërsa F.C. nuk kishte arritur ditëlindjen e tij të njëzet e katërt dhe kishte shërbyer për njëzet e dy muaj.
(iii) Kriteret për zgjedhjen e personelit të forcave të armatosura për në G8
228. Kërkuesit argumentuan se toga CCIR e karabinierëve ishte udhëhequr nga persona me përvojë në kryerjen e operacioneve jashtë vendit të policisë ushtarake ndërkombëtare, por të cilët nuk kishin asnjë përvojë në ruajtjen dhe rivendosjen e rendit publik. Ky ishte rasti i oficerë Leso, Truglio dhe Cappello. Në atë kohë nuk ka pasur rregullore për përcaktimin e kritereve për rekrutimin dhe përzgjedhjen e personelit për të punuar në operacionet e rendit publik, dhe Qeveria nuk kishte specifikuar kërkesat minimale që duheshin përmbushur nga karabinierët në ngjarje të tilla si G8. Kjo ishte në kundërshtim me paragrafët 18 dhe 19 të Parimeve të OKB-së. Tre të katërtat e trupave të dislokuara në Gjenovë kishin qenë djem të rinj të cilët kishin kryer shërbimin ushtarak brenda karabinierisë (carabinieri di leva) ose që së fundmi ishin caktuar si trupa rezervë (carabinieri ausiliari), gjë që të krijonte një ide mbi mungesën e përvojës. Kërkuesit vunë gjithashtu në dukje vërejtjet e bëra nga KPT-ja në raportin e vizitës së tij në Itali (shih paragrafin 155 më lart).
(iv) Ngjarjet pas të shtënave fatale
229. Në parashtrimet e kërkuesve, ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës edhe për shkak të faktit se as oficerët e zbatimit të këtij ligji në Piazza Alimonda dhe në afërsi dhe as karabinierët në bordin e xhipit nuk i kishin dhënë ndihmë Carlo Giuliani pas të shtënave fatale. Ata iu referuan në këtë drejtim paragrafit 5 të Parimeve të OKB-së. Ata më tej theksuan se xhipi në të cilën kishte udhëtuar M.P., dhe drejtohej nga një tjetër karabinier kishte kaluar dy herë mbi trupin e viktimës, i cili ishte qëlluar, por ishte ende gjallë.
(b) Qeveria
230. Qeveria vërejti se vdekja Carlo Giuliani kishte rezultuar nga veprimet individuale të M.P., i cili nuk kishte qenë i urdhëruar apo i autorizuar nga eprorët e tij. Kështu, kishte qenë pra një ngjarje e paparashikuar dhe e paparashikueshme. Konkluzionet e hetimit përjashtuan çdo përgjegjësi nga ana e Shtetit, duke përfshirë përgjegjësinë indirekte për shkak të mangësive të supozuara në organizimin apo menaxhimin e operacioneve të rendit publik. "Problemet" e përmendura nga prokurori në kërkesën për pushimin e çështjes, në veçanti për shkak të ndryshimeve organizative të bëra një natë përpara ngjarjeve (shih paragrafin 67 më sipër), nuk ishin specifikuar as nuk ishte vendosur ekzistenca e tyre.
231. Në çdo rast, nuk kishte asnjë shenjë të ndonjë gabimi në vlerësimin e organizimit të operacionit, i cili mund të lidhet me ngjarjet në fjalë. Nuk ishte e mundur për të vendosur një lidhje shkakësore midis vdekjes së Carlo Giuliani dhe sulmit mbi marshimin e Tute Bianche, i cili nuk kishte "asnjë lidhje" me ngjarjet në Piazza Alimonda. As nuk kishte arsye për pranuar se kontingjenti i karabinierëve nuk duhet të ishte dërguar në Piazza Alimonda, që pastaj nuk duheshin riorganizuar dhe rivendosur për t’u bërë ballë demonstruesve.
232. Ajo çfarë e dallon çështjen konkrete nga çështjet Ergi kundër Turqisë (28 korrik 1998, Raportet 1998-IV), Ogur kundër Turqisë ([GC], nr. 21594/93, ECHR 1999-III) dhe Makaratzis (cituar më lart), ishte fakti se, në kuadër të G8, planifikimi i operacioneve kishte qenë në mënyrë të pashmangshme i paplotë dhe jo i saktë në çdo detaj, duke pasur parasysh se demonstruesit mund të kishin protestuar në mënyre të qetë apo të angazhoheshin në akte dhune. Autoritetet nuk kishin qenë në gjendje të parashikonin në mënyrë të detajuar se çfarë do të ndodhte dhe duhet të siguronin një ndërhyje në mënyrë fleksibël, e cila ishte e vështirë për t’u planifikuar.
233. Gjithashtu, parimet e artikuluara në McCann dhe të Tjerët dhe Andronicou dhe Constantinou (të dyja të cituara më lart) nuk kishin asnjë lidhje me çështjen në fjalë, pasi ato lidheshin me një operacion policor me një objektiv të saktë dhe jo me një situatë të tipit trazira civile e cila zgjati për tri ditë, kishte një fluks konstant dhe ishte e përhapur në të gjithë qytetin. Në situatën e fundit, planifikimi parandalues ishte i pamundur pasi vendimet ishin marrë nga oficerë komandues në terren në varësi të shkallës së dhunës dhe rreziqeve që paraqiteshin.
234. Demonstratat në Gjenovë duhet të kishin qenë paqësore dhe të ligjshme. Videoja tregoi se shumica e demonstruesve kishin vepruar brenda ligjit dhe pa dhunë. Autoritetet kishin bërë gjithçka që ishte në fuqinë e tyre për të parandaluar elementet problematikë të bashkoheshin me demonstruesit dhe të bënin që demonstrata të degjeneronte. Pavarësisht nga kjo, disa incidente kriminale, shpesh pa lidhje, kishin ndodhur në pjesë të ndryshme të qytetit. Masa të konsiderueshme ishin marrë kundër një përkeqësimi të mundshëm të situatës. Sidoqoftë, asnjë autoritet - "pa ndihmën e parashikuesi të së ardhmes" – nuk do të mund të parashikonte saktësisht se kur, ku dhe si do të shpërthente dhuna dhe në çfarë drejtimi ajo do të përhapej.
235. Duke mohuar ekzistencën e ndonjë mangësie për faj të Shtetit që të mund të lidhej me vdekjen e Carlo Giuliani, qeveria tërhoqi vëmendjen e Gjykatës mbi pikat e mëposhtme.
236. Ndryshimi i planit në datën 19 korrik 2001, i cili i kishte dhënë karabinierëve një rol më dinamik, justifikohej nga evoluimi i situatës dhe sjellja e demonstruesve gjithnjë e më agresive.
237. Nuk mund të thuhej se përzgjedhja dhe trajnimi i personelit kishte qenë i papërshtatshëm . Trajnimi i marrë nga M.P., D.R. dhe F.C. përfshinte trajnime bazë teknike, kur ata ishin rekrutuar dhe kurse të mëtejshme në zhvillimin e operacioneve të rendit publik dhe përdorimin e pajisjeve të që kishin në dispozicion. Përveç kësaj, M.P., D.R. dhe F.C. kishin fituar një përvojë të konsiderueshme në ngjarjet sportive dhe të tjera. Përpara samitit të G8 gjithë personeli që do të vendosej në Gjenovë, duke përfshirë tre karabinierët e sipër-përmendur, kishte marrë pjesë në sesionet trajnuese në Velletri, gjatë të cilave instruktorë me përvojë kishin dhënë trajnime të avancuara në teknikat e ruajtjes së rendit publik (shih paragrafët 108-109 më sipër ). Për më tepër, duke pasur parasysh se Shteti kishte vendosur rreth 18.000 oficerë në terren (shih paragrafin 141 më lart), do të ishte joreale të pritej që të gjithë policët dhe karabinierët t’i përkisnin njësive elitë.
238. Në parashtrimet e Qeverisë, sistemi i komunikimit i zgjedhur nga karabinierët nuk kishte asnjë ndikim në ngjarjet në Piazza Alimonda. Xhipat nuk kishte qenë të blinduar (por kishin qenë të pajisur me rrjeta metalike që mbronin xhamin e përparmë dhe shoferin, si dhe dritaret e pasagjerit përpara), sepse ata ishin thjesht mjete logjistike mbështetëse dhe nuk ishin të destinuara për përdorim operacional në vendosjen e rendit publik. Kjo ishte arsyeja pse dritaret anësore në anën e pasme dhe dritaret pasme nuk ishin të pajisur me rrjeta. Për më tepër, demonstruesit kishin arritur t’i vinin zjarrin edhe një automjet plotësisht të blinduar (shih paragrafin 20 më lart). Xhipat kishin ndjekur karabinierët, të cilët ishin të angazhuar në përleshjet me demonstruesit, me shumë gjasa, me iniciativën e drejtuesit të mjetit dhe për të shmangur bllokimin, i cili do t’i kishte bërë ata një objektiv të lehtë për demonstruesit agresivë.
239. M.P. kishte një pistoletë të mbushur, sepse, edhe pse ai kishte pushuar së gjuajturi gaz lotsjellës, ai duhej të ishte në gjendje për të mbrojtur veten në rast të një sulmi. Nëse nuk do të kishte qenë kështu, mund të kishte ndodhur që në vend të sulmuesit, të kishte humbur jetën ai.
240. Lidhur me faktin se pse forcat e zbatimit të ligjit të cilat ishin ndodhur në afërsi të xhipit nuk kishin ndërhyrë, Qeveria shpjegoi se, karabinierët në vendin e ngjarjes sapo ishin tërhequr pas një sulmi nga demonstruesit dhe nuk kishin pasur kohën e nevojshme për t’u rigrupuar. Sa i përket oficerëve të policisë të cilët kishin qenë "në një distancë relativisht të afërt, por jo në afërsi të menjëhershme", ata kishin ndërhyrë sa më shpejt ishte e mundur. Për më tepër, ngjarjet tragjike kishin ndodhur shumë shpejt (brenda disa dhjetëra sekondash gjithsej).
241. Qeveria vuri gjithashtu në dukje se, sipas raportit të autopsisë, kalimi i automjetit mbi trupin Carlo Giuliani nuk kishte shkaktuar pasoja serioze për këtë të fundit (shih paragrafin 50 më lart). Shërbimet e urgjencës kishin ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes.
242. Në parashtrimin e Qeverisë, autoritetet dhe organet e zbatimit të ligjit nuk kishin pasur asnjë mundësi tjetër veprimi në dispozicion të tyre. Ndonëse neni 2 § 2 (c) i Konventës justifikonte marrjen e jetës me qëllim "për të kundërshtuar një trazirë", karabinierët ishin kufizuar vetëm në përpjekjen për të shpërndarë demonstruesit e dhunshëm pa shkaktuar dëme dhe vetëm, pasi e gjetën veten të bllokuar, u tërhoqën në mënyrë që të mos rrethoheshin nga demonstruesit, i cili mund të kishte pasoja më të rënda. Sulmi në xhip kishte qenë rezultat i kurthit të ngritur nga demonstruesit dhe jo rezultat i ndonjë mosfunksionimi. Për sa më sipër, Gjykata duhet të shmangë përcjelljen e mesazhit se, Shteti është përgjegjës në të gjitha rastet kur trazirat rezultojnë në humbje të jetës njerëzore.
2. Vendimi i Dhomës
243. Dhoma shqyrtoi mangësitë e pretenduara nga kërkuesit, në lidhje me zgjedhjen e sistemit të komunikimit nga autoritetet, qarkullimin joadekuat të urdhrave të shërbimit për datën 20 korrik dhe mungesën e koordinimit të ndërmjet organeve të zbatimit të ligjit. Ajo vërejti se, këtyre të fundit u ishte dashur të përgjigjeshin për trazira të papritura dhe të paparashikueshme dhe se në mungesë të një hetimi të hollësishëm nga autoritet e brendshme kombëtare, nuk mund të vendosej një lidhje shkak-pasojë e menjëhershme dhe direkte ndërmjet mangësive të pretenduara dhe vdekjes së Carlo Giuliani. Së fundi, ajo u shpreh se shërbimet e emergjencës ishin thirrur me shpejtësinë e nevojshme, dhe theksoi seriozitetin e lëndimeve Carlo Giuliani (shih paragrafët 228-244 të vendimit të Dhomës).
3. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme
244. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, neni 2 në disa rrethana të mirë-përcaktuara mund të vendosë një detyrim pozitiv mbi autoritetet për marrjen e masave parandaluese operacionale për të mbrojtur një individ jeta e të cilit është në rrezik nga aktet kriminale të një individi tjetër (shih Mastromatteo kundër Italisë [GC], nr. 37703/97, në fund të §67, ECHR 2002-VIII;. Branko Tomašić dhe të Tjerët kundër Kroacisë, nr. 46598/06, § 50, ECHR 2009-...; dhe Opuz kundër Turqisë, nr. 33401/02, § 128, ECHR 2009 -...).
245. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se nga kjo dispozitë mund të rrjedhë një detyrim pozitiv për të parandaluar çdo akt dhune të mundshëm. Detyrimi në fjalë duhet të interpretohet në një mënyrë që nuk vendos një barrë të pamundur ose disproporcionale mbi autoritetet, duke pasur parasysh detyrën e vështirë të forcave policore në shoqëritë moderne, pa parashikueshmërinë e sjelljes njerëzore dhe zgjedhjet operative të cilat duhet të bëhen duke pasur parasysh prioritetet dhe burimet në dispozicion (shih Osman, cituar më lart, § 116, dhe Maiorano dhe të Tjerët kundër Italisë, nr. 28634/06, § 105, 15 dhjetor 2009).
246. Prandaj, jo çdo rrezik i pretenduar për jetën mund të sjellë për autoritetet një detyrim nga ana e Konventës për të marrë masa operative për të parandaluar që rreziku të materializohet. Gjykata është shprehur se detyrimi pozitiv do të lindë atëherë kur autoritetet e dinin ose duhet të ishin në dijeni të ekzistencës së një rreziku real dhe të menjëhershëm për jetën e një individi ose individëve të identifikuar dhe kishte dështuar në marrjen e masave në kuadër të kompetencave të tyre të cilat, në bazë të një gjykimi të arsyeshëm, mund ta shmangnin atë rrezik (shih Bromiley kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 33747/96, 23 nëntor 1999; Pali dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 46477/99, § 55, ECHR 2002-II; dhe Branko Tomašić, cituar më lart, §§ 50-51).
247. Në lidhje me këtë duhet të theksohet se në çështjen Mastromatteo (cituar më lart, § 69), Gjykata bëri një dallim midis rasteve në lidhje me kërkesën e mbrojtjes personale të një ose më shumë individëve të identifikueshëm paraprakisht si objektiv të mundshëm të një akti vdekjeprurëse (shih Osman dhe Pali dhe Audrey Edwards, të dyja të cituara më lart, shih gjithashtu vendimet e marra pas çështjes Mastromatteo, konkretisht Branko Tomašić dhe Opuz cituar më lart), dhe rasteve që kanë të bëjnë me detyrimin për mbrojtje të përgjithshme për shoqërinë (shih Maiorano dhe të Tjerë, cituar më lart, § 107).
248. Për më tepër, që Shteti të jetë përgjegjës sipas Konventës, duhet konstatuar se vdekja ka ardhur si rezultat i dështimit të autoriteteve kombëtare për të ndërmarrë të gjitha hapat, që në mënyrë të arsyeshme priten të ndërmerren prej tyre, për të shmangur një rrezik real dhe të menjëhershëm për jetën për të cilin ata kishin ose duhet të kishin pasur dijeni (shih Osman, cituar më lart, § 116; Mastromatteo, cituar më lart, § 74, dhe Maiorano dhe të Tjerë, cituar më lart, § 109).
249. Sipas jurisprudencës së saj, Gjykata duhet të shqyrtojë planifikimin dhe kontrollin e një operacioni policor i cili ka rezultuar në vdekjen e një ose më shumë individëve, në mënyrë që të vlerësojë nëse, në rrethanat e veçanta të rastit, autoritetet ishin kujdesur për të siguruar që të minimizohej çdo rrezik për jetën dhe nuk ishin treguar neglizhente në zgjedhjen e veprimeve të ndërmarra (shih McCann dhe të Tjerë, cituar më lart, §§ 194 dhe 201, dhe Andronicou dhe Constantinou, cituar më sipër, § 181). Përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga oficerët e policisë mund të justifikohet në rrethana të caktuara. Megjithatë, neni 2 nuk njeh një liri të pakufizuar lidhur me këtë. Veprime të parregulluara dhe arbitrare nga agjentët e Shtetit janë të papajtueshme me respektimin efektiv të të drejtave të njeriut. Kjo do të thotë se operacionet policore duhet të rregullohen në mënyrë të mjaftueshme me ligje kombëtare, në kuadrin e një sistemi të mbrojtjes adekuate dhe efektive kundër arbitraritetit dhe abuzimit të forcës. Prandaj, Gjykata duhet të marrë në konsideratë jo vetëm veprimet e agjentëve të Shtetit, të cilët administrojnë forcën, por edhe të gjitha rrethanat, duke përfshirë çështje të tilla si planifikimi dhe kontrolli i veprimeve nën shqyrtim. Oficerët e policisë nuk duhet të lihet në një vakum gjatë kryerjes së detyrave të tyre: një kuadër ligjor dhe administrativ duhet të përcaktojë rrethanat e kufizuara në të cilat forcat e zbatimit të ligjit mund të përdorin forcën dhe armët e zjarrit, në dritën e standardeve ndërkombëtare të përcaktuara në këtë drejtim (shih Makaratzis, cituar më lart, §§ 58-59).
250. Në veçanti, forcat e zbatimit të ligjit duhet të jenë të trajnuara për të vlerësuar nëse ekziston apo jo një domosdoshmëri absolute për të përdorur armë zjarri, jo vetëm në bazë të rregulloreve përkatëse, por edhe me kujdesin e duhur për përparësinë e respektimit për jetën e njeriut si vlerë themelore (shih Nachova dhe të Tjerë, cituar më lart, § 97, shih gjithashtu kritikat e Gjykatës për udhëzimet "qëllo për të vrarë" të dhëna për ushtarët në McCann dhe të Tjerë, cituar më lart, §§ 211-214).
251. Së fundi, nuk duhet harruar se vdekja e Carlo Giuliani ndodhi në rrjedhën e një demonstrate masive. Edhe pse është detyrë e Shteteve Kontraktuese për të marrë masa të arsyeshme dhe të përshtatshme në lidhje me demonstratat e ligjshme, për të siguruar zhvillimin e tyre paqësore dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, ata nuk mund të garantojnë këtë gjë në mënyrë absolute dhe kanë një diskrecion të gjerë në zgjedhjen e mjeteve që do përdorin në këto lloj situatash. Në këtë fushë detyrimi që ata kanë në bazë të nenit 11 të Konventës është një detyrim lidhur me masat që do të merren dhe jo rezultatet që do të arrihen (shih Plattform "Ärzte für das Leben" kundër Austrisë, 21 qershor 1988, § 34, Seria A, nr. 139, Oya Ataman kundër Turqisë, nr. 74552/01, § 35, ECHR 2006-XIII; dhe Protopapa kundër Turqisë, nr. 16084/90, § 108, 24 shkurt 2009). Megjithatë, është e rëndësishme që masa të tilla sigurie parandaluese si, për shembull, prania e shërbimeve të ndihmës së parë në vendin e demonstratave, të merren në mënyrë që të garantojnë zhvillimin e qetë të çdo ngjarjeje, takimi ose tubimeve të tjera, qofshin ato politike, kulturore ose të një natyre tjetër (shih Oya Ataman, cituar më lart, § 39). Për më tepër, kur demonstruesit nuk angazhohen në akte dhune, është e rëndësishme për autoritetet publike të tregojnë një shkallë të caktuar tolerance ndaj tubimeve paqësore, në mënyrë që liria e tubimit e garantuar me nenin 11 të Konventës të mos privohet tërësisht nga thelbi i saj (shih Patyi dhe të Tjerët kundër Hungarisë, nr. 5.529 / 05, § 43, 7 tetor 2008). Nga ana tjetër, ndërhyrjet në të drejtën e garantuar në atë dispozitë, justifikohen në parim, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve, kur demonstruesit përfshihen në akte dhune (shih Protopapa, cituar më lart, § 109).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në rastin konkret
252. Gjykata vëren së pari se, demonstratat e samitit të G8 në Gjenovë precipituan në dhunë. Më 20 korrik 2001 u zhvilluan përplasje të shumta midis forcave të zbatimit të ligjit dhe një seksioni të demonstruesve. Kjo është demonstruar më së miri nga pamjet e videove të paraqitura nga palët. Gjithashtu këto imazhe tregojnë dhunën që ushtrohet nga disa oficerëve të policisë kundër demonstruesve (shih paragrafin 139 më lart).
253. Fakti mbetet, megjithatë, se kërkesa që po gjykohet nuk ka të bëjë me organizimin e operacioneve të rendit publik gjatë G8 si një e tërë. Ajo kufizohet në shqyrtimin, ndër të tjera, nëse, në organizimin dhe planifikimin e atyre ngjarjeje kishte pasur mangësi të cilat mund lidheshin direkt me vdekjen e Carlo Giuliani. Në lidhje me këtë duhet të theksohet se incidentet e dhunshme ishin vërejtur edhe para ngjarjeve tragjike në Piazza Alimonda. Në çdo rast, nuk kishte arsye objektive për të besuar se, nëse incidentet e dhunshme nuk do të kishin ndodhur, dhe nëse marshi i Tute Bianche nuk do të ishte sulmuar nga karabinierët, M.P. nuk do të kishte qëlluar për të mbrojtur veten kundër dhunës së paligjshme që po ushtrohej ndaj tij. E njëjta gjë mund të thuhej për sa i përket ndryshimeve në urdhrat e nxjerra nga karabinierët pak përpara zhvillimit të ngjarjeve dhe zgjedhjen e sistemit të komunikimit.
254. Gjykata vëren në këtë drejtim se ndërhyrja e karabinierëve në Via Caffa (shih paragrafët 42-44 më lart) dhe sulmi mbi xhip nga demonstruesit u zhvillua në një kohë relativisht të qetë, kur, pas një dite të gjatë trazirash, toga e karabinierëve ishte pozicionuar në Piazza Alimonda në mënyrë që të pushonin, të rigrupoheshin dhe do të lejonin personelin e plagosur për të hipur në xhipa. Siç tregojnë pamjet, përplasja mes demonstruesve dhe forcave të zbatimit të ligjit ndodhi papritmas dhe zgjati vetëm pak minuta para të shtënave fatale. Nuk mund të ishte parashikuar një sulm i tillë dhune në atë vend dhe në ato rrethana. Për më tepër, lidhur me arsyet që çuan turmën për të vepruar ashtu, vetëm mund të spekulohet mbi to por s’mund të dihen me siguri.
255. Gjithashtu duhet theksuar se, Qeveria kishte vendosur një numër të konsiderueshëm të personelit të Policisë në Gjenovë (18,000 oficerë - shih paragrafët 141 dhe 237 më sipër) dhe se i gjithë personeli ose i përkiste njësive të specializuara ose kishin marrë trajnime ad hoc në ruajtjen e rendit gjatë tubimeve masive. M.P., në veçanti, kishte marrë pjesë në kurset e trajnimit në Velletri (shih paragrafët 108-109 dhe 237 më sipër; shih në ndryshim Makaratzis, cituar më lart, § 70). Duke pasur parasysh numrin shumë të madh të forcave të angazhuara, nuk do të mund të pretendohet që të gjithë të kenë përvojë të gjatë dhe/ose të jenë trajnuar gjatë për shumë muaj apo vite. Të pretendosh diçka të tillë do të thotë t’u vendosësh Shteteve një detyrim disproporcional dhe joreal. Për më tepër, siç theksoi me të drejtë Qeveria (shih paragrafin 233 më sipër), një dallim duhet bërë ndërmjet rasteve kur forcat e zbatimit të ligjit kanë të bëjnë me një objektiv të saktë dhe të identifikueshëm (shih, për shembull, McCann dhe të tjerët dhe Andronicou dhe Constantinou, të dy të cituar më lart) dhe atyre që lidhen me ruajtjen e rendit në përballjen e trazirave të mundshme të përhapur në një sipërfaqe të gjerë sa ajo e një qyteti të tërë, si në rastin në fjalë. Vetëm në kategorinë e parë të rasteve mund të pretendohet që të gjithë oficeret e përfshirë të jenë të specializuar për detyrën e caktuar.
256. Ajo vijon se, nuk ka shkelje të nenit 2 të Konventës vetëm në bazë të përzgjedhjes për samitin e G8 në Gjenovë, së një karabinieri, si M.P. i cili, ishte vetëm njëzet vjeç e njëmbëdhjetë muaj në kohën kur kanë ndodhur ngjarjeve dhe kishte shërbyer vetëm dhjetë muaj (shih paragrafin 35 më lart). Gjykata gjithashtu thekson se, tashmë ajo kishte vendosur se veprimet e M.P. gjatë sulmit mbi xhip nuk përbënin shkelje të elementit material të nenit 2 (shih paragrafët 194-195 më sipër). Nuk është vërtetuar se ai mori iniciativa të papeshuara apo ka vepruar pa udhëzimet e duhura (shih në ndryshim Makaratzis, cituar më lart, § 70).
257. Kështu, mbetet të konstatohet nëse vendimet e marra në Piazza Alimonda pak para sulmit të xhipit nga demonstruesit, ishin në shkelje të detyrimit për të mbrojtur jetën. Për këtë qëllim Gjykata duhet të marrë parasysh të dhënat në dispozicion të autoriteteve në kohën kur vendimet janë marrë. Nuk kishte asgjë lidhur me këtë që tregonte se Carlo Giuliani, më shumë se ndonjë demonstrues tjetër, ose ndonjë person tjetër i pranishëm në vendin e ngjarjes, kishte qenë objektiv i mundshëm i një akti vdekjeprurës. Rrjedhimisht, autoritetet nuk kishin detyrim për t’i siguruar atij mbrojtje personale, por ishin të detyruar për të mos vepruar, në terma të përgjithshëm, në mënyrë të tillë që rrezikonte qartësisht jetën dhe integritetin fizik të ndonjë prej personave në fjalë.
258. Gjykata e konsideron të arsyeshme, në një situatë emergjente si ajo pas përleshjeve të 20 korrik 2001, që organet e zbatimit të ligjit të kenë për përdoruriù automjete logjistike mbështetëse jo të blinduara për të transportuar policët e plagosur. Gjithashtu, nuk mund të konsiderohej e paarsyeshme që nuk iu kërkua automjeteve në fjalë për të vazhduar menjëherë për në spital, pasi kalimi pa mbrojtje në një pjesë të qytetit ku trazirat të mëtejshme mund të kishin shpërthyer do t’i kishte vendosur ata në rrezik. Para sulmit në Via Caffa, i cili siç Gjykata ka vërejtur, ishte krejtësisht i papritur dhe i pa parashikueshëm (shih paragrafin 254 më lart), dukej se xhipat ishin të mbrojtura mirë në Piazza Alimonda, ku ata ishin pranë një kontingjenti karabinierësh. Për më tepër, asgjë në dosje nuk tregonte se, gjendja fizike e karabinierëve në xhip ishte aq serioze sa ishte i nevojshme dërgimi i tyre i menjëhershëm në spital si një çështje urgjente; oficerët në fjalë ishin më tepër duke vuajtur pasojat e ekspozimit të zgjatur ndaj gazit lotsjellës.
259. Xhipat më pas ndoqën togën e karabinierëve kur këta të fundit u zhvendosen drejt Via Caffa; arsyet për këtë vendim nuk ishin të qartë nga dosja. Ky veprim mund të ishte bërë me qëllim për të mos mbetur të bllokuar, e cila, siç treguan ngjarjet pasuese, mund të kishte qenë jashtëzakonisht e rrezikshme. Për më tepër, kur ky veprim ishte bërë, nuk kishte asnjë arsye të mendohej se demonstruesit do të ishin në gjendje për të detyruar karabinierët, siç edhe bënë, për t’u tërhequr me shpejtësi dhe në mënyrë të çrregullt, duke bërë që xhipa të tërhiqeshim në duke ecur mbrapsht dhe duke bërë që njeri prej tyre të bblokohej. Rezultati i menjëhershëm i këtyre ngjarjeve ishte sulmi i dhunshëm dhe i paligjshëm nga ana e demonstruesve. Është mjaft e qartë se asnjë vendim operacional i marrë më parë nga organet e zbatimit të ligjit, nuk mund të kishte marrë parasysh këtë element të paparashikuara. Për më tepër, fakti se sistemi i zgjedhur i komunikimit lejonte shkëmbimin e informacionit vetëm midis qendrave operative të policisë dhe karabinierëve, por jo komunikimin e drejtpërdrejtë në radio midis oficerëve të policisë dhe karabinierëve (shih paragrafin 222 më sipër), nuk përbënte në vetvete baza të mjaftueshme për konkluduar se nuk kishte pasur një zinxhir të qartë komandues, një faktor i cili, sipas jurisprudencës së Gjykatës, mund të rriste rrezikun e të shtënave të pakontrolluara nga disa oficerë policie (shih Makaratzis, cituar më lart, § 68). M.P. ishte subjekt i urdhrave dhe udhëzimeve të eprorëve të tij, të cilët ishin të pranishëm në terren.
260. Për më tepër, Gjykata nuk gjente arsye se perse duhej t’i ishte marrë arma M.P. nga ata që ishin në komandë, për faktin se ishte i plagosur dhe konsiderohej i papërshtatshme për të qëndruar në detyrë. Arma ishte një mjet i përshtatshëm i mbrojtjes personale me të cilën mund të përballej një sulm i mundshëm dhe i papritur dhune që paraqiste një rrezik të pashmangshëm dhe serioz për jetën, dhe në rastin konkret ishte përdorur pikërisht për këtë qëllim.
261. Së fundi, për sa i përket ngjarjeve pas të shtënave fatale (shih paragrafin 229 më lart), Gjykata vëren se nuk ka dëshmi që tregojnë se ndihma e ofruar për Carlo Giuliani ishte e papërshtatshme apo vonuar apo që xhipi kaloi qëllimisht mbi trupin e tij. Në çdo rast, siç vërtetohej nga raporti i autopsisë (shih paragrafin 50 më sipër), plagët marra si rezultat i së shtënës nga ana e M.P. ishin aq të rënda sa rezultuan në vdekjen brenda pak minutash të Carlo Giuliani.
262. Më tej ajo vëren se, autoritetet italiane nuk kishin dështuar në detyrimin e tyre për të bërë të gjitha ato që mund të priteshin prej tyre, për të siguruar nivelin e garancive që kërkohen gjatë operacioneve të cilat potencialisht përfshijnë përdorin e forcës vdekjeprurëse. Rrjedhimisht, nuk ka pasur asnjë shkelje të nenit 2 të Konventës për shkak të organizimit dhe planifikimit të operacioneve policore gjatë samitit të G8 në Gjenovë dhe ngjarjes tragjike në Piazza Alimonda.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË ELEMENTIT PROCEDURAL TË NENIT 2 TË KONVENTËS
263. Kërkuesit pretenduan se Shteti i paditur kishte dështuar në disa aspekte për të përmbushur detyrimet procedurale që dalin nga neni 2 i Konventës. Qeveria e kundërshtoi këtë pretendim.
A. Problematikat e ngritura nga kërkuesit
1. Pretendimi për mangësi në kryerjen ekspertizës mjeko-ligjore dhe djegien e trupit
(a) Parashtrimet e palëve
(i) Kërkuesit
264. Kërkuesit vërejtën se më 21 korrik 2001 prokurori kishte urdhëruar autopsinë e trupit të Carlo Giuliani dhe kishte emëruar dy ekspertë (Z. Canale dhe Z. Salvi), të cilët duhet të fillonin punën në orën 15:00 të së njëjtës ditë. Prokurori i çështjes i kishte kërkuar policisë të informonte M.P. dhe prindërit e viktimës para orës 13:00 Duke qenë se njoftimi ishte bërë në një kohë kaq të shkurtër, kishte qenë e pamundur për kërkuesit të emëronin një ekspert mjeko-ligjor për të marrë pjesë në autopsinë që do të kryhej. Për më tepër, prokurori kishte autorizuar djegien e trupit më 23 korrik 2001, edhe para se rezultatet e autopsisë të bëheshin të njohura (ekspertëve u ishin dhënë gjashtëdhjetë ditë për të përfunduar raportin e tyre).
265. Kërkuesit nuk kishin qenë në asnjë moment "palë" në proces, pasi sipas ligjit italian kërkesa për t’u bashkuar si palë civile në një proces mund të bëhet vetëm pasi çështja dërgohet për gjykim. Si palë e dëmtuar, ata kishin vetëm disa kompetenca të kufizuara për të marrë pjesë në hetim. Këto janë edhe më shumë të kufizuara kur prokurori i çështjes urdhëron ekspertizën teknike e cila nuk mund të përsëritej, në bazë të nenit 360 të KPP-së (shih paragrafin 150 më sipër); në këtë rast, pala e dëmtuar vetëm mund t’i kërkojë prokurorit të çështjes që ky i fundit të kërkojë nga GIP marrjen e menjëhershme të provave. Vetëm në qoftë se kjo kërkesë pranohet i dëmtuari mund të kërkojë nga GIP për të vënë në pikëpyetje ekspertët e emëruar nga organi i akuzës. Në rastin konkret autopsia ishte klasifikuar si një ekspertizë teknike që nuk mund të përsëritej.
266. Së fundi, kërkuesit vërejtën se kryerja e skanimit të plotë të trupit të Carlo Giuliani (shih paragrafin 60 më lart) tregonte një copëz metalike në kafkën e tij, por kjo copëz nuk ishte gjetur dhe as regjistruar (shih dëshminë e Z. Salvi gjatë "Gjyqit të njëzet e pesëve "- paragrafi 130 më lart).
(ii) Qeveria
267. Qeveria argumentoi se nxjerrja e copëzës së gjetur metalike do të kishte qenë jo vetëm e panevojshme, por edhe e pamundur. Ajo nuk do të kishte dhënë asnjë informacion të dobishëm shtesë në lidhje me rrethanat në të cilat M.P. kishte ushtruar forcën vdekjeprurëse. Mikro-copëzat e plumbit ishin gjetur tashmë në maskën e viktimës, analiza e të cilave e kishte konfirmuar teorinë e objektit të ndërmjetëm. Për më tepër, në kohën kur trupi i Carlo Giuliani iu kthye familjarëve të tij për djegie, nuk kishte pasur arsye të mendohej se ekspertiza mjeko-ligjore, për të cilën ende nuk ishte përgatitur raporti përfundimtar, do të ishte "sipërfaqësore". Ishte praktikë e zakonshme, të dorëzohej trupit tek të afërmit, pasi ekspertët kishin deklaruar se nuk kishin nevojë më të. Kjo i kursente të afërmve të viktimës vuajte të mëtejshme dhe respektonte të drejtat e tyre sipas nenit 8 të Konventës
268. Djegia ishte kërkuar nga vetë kërkuesit, të cilët ishin informuar se për kryerjen e autopsisë dhe ishin njoftuar për ta ndjekur atë. Për më tepër, përfaqësuesi i kërkuesve nuk kishte bërë ndonjë kërkesë për marrjen e menjëhershme të provave (Qeveria iu referua Sottani kundër Italisë (dec.), nr. 26775/02, ECHR 2005-III, në të cilën Gjykata e kishte refuzuar një kërkesë të ngjashme).
269. Siç Gjykata ishte shprehur dhe në çështje të mëparshme (Qeveria iu referua, mutatis mutandis, R.K. dhe A.K. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 38000/05, § 36, 30 shtator 2008), nëse hetimet ishin kryer apo jo siç duhej, vlerësohet ex ante, në bazë të fakteve të njohura në kohën kur është marrë vendimi, dhe jo ex post facto. Sipas Konventës, një hetim konsiderohej me mangësi, nëse mangësitë e identifikuara dëmtonin aftësinë e tij për krijimin e rrethanave të çështjes apo identifikimin e personave përgjegjës (Qeveria iu referuar Makaratzis, cituar më lart, § 74). Vetëm rrethanat e pazakonta e kanë çuar Gjykatën, në raste të caktuara, të gjejë një shkelje të elementit procedural të nenit 2 pa gjetur shkelje të elementit themelor të kësaj dispozite ose të nenit 38 të Konventës (Qeveria iu referua, si shembull, Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 24746/94, ECHR 2001-III)), dhe kjo në çdo rast kishte sjellë mendime në pakicë kundërshtuese (Qeveria përmendi shembullin e Ramsahai dhe të tjerët kundër Holandës ([GC], nr. 52391/99, ECHR 2007-VI)). Në rastin konkret, konkluzionet e autoriteteve vendore për ekzistencën e mbrojtjes së nevojshme ishin pranuar nga Dhoma. Prandaj, çdo mangësi gjatë hetimit nuk kishte asnjë ndikim në efektivitetin e saj.
270. Në çdo rast, kërkesa për efektivitet ishte një detyrim për mjetet e përdorura dhe jo për rezultatet. Qeveria pranoi se "disa dokumente të caktuara paraqisnin vështirësi në rindërtimin e ngjarjeve, për shkak, inter alia, të mungesës së disa elementeve". Megjithatë, këto vështirësi nuk u ishin atribuuar autoriteteve ose ndonjë neglizhence nga ana e tyre, por kishin rezultuar nga rrethanat objektive jashtë kontrollit të tyre. Kështu, hetuesit kishin vepruar në pajtim me detyrimin e tyre lidhur me efektivitetin e mjeteve të përdorura. Për më tepër, edhe nëse supozohet se kishte dyshime në lidhje me disa elemente, ishte i akuzuari dhe jo viktima që përfitonte nga këto dyshime në çështjet penale. Së fundi, duhej kujtuar se, Gjykata kishte gjykuar mbi hetime të brendshme si "efektive", edhe kur gabimet ishin kryer nga autoritetet (Qeveria iu referuar Grams, cituar më sipër, dhe Menson dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 47916/99, ECHR 2003-V).
(b) Vendimi i Dhomës
271. Dhoma vërejti se, skanimi i plotë i trupit të Carlo Giuliani tregonte një copëz metalike në kafkën e tij, e cila nuk ishte nxjerrë apo regjistruar, edhe pse analiza e saj do të kishte qenë e rëndësishme "për qëllimet të ekspertizës balistike dhe për rindërtimin e ngjarjeve". Për më tepër, mjekët të cilët kishin kryer autopsinë nuk kishin "deklaruar në mënyrë eksplicite nëse e shtëna kishte qenë e drejtpërdrejtë". Si rrjedhojë, pyetje të rëndësishme kishin mbetur pa përgjigje, duke bërë që prokuroria ta cilësonte ekspertizën mjeko-ligjore si "sipërfaqësore". Këto mangësi ishin thelluar nga autorizimi i dhënë për djegien e trupit para se të behej i ditur përmbajtja e ekspertizës mjeko-ligjore, duke bërë të pamundur kryerjen e ndonjë testi të mëtejshëm. Dhoma gjithashtu kritikoi njoftimin e kërkuesve në një kohë mjaft të shkurtër, për qëllime të caktimit të një eksperti të zgjedhur prej tyre për të marrë pjesë në autopsi. Kështu, ajo vendosi se, ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës në aspektin procedural (shih paragrafët 245-251 të vendimit të Dhomës).
2. Dështimi për të filluar një proces me qëllim përcaktimin e përgjegjësive të mundshme të disa oficerëve të policisë
(a) Parashtrimi i palëve
(i) Kërkuesit
272. Në parashtrimin e kërkuesve, ishte shkelur neni 2 i Konventës edhe për shkak të mungesës së një hetimi administrativ apo penal mbi sjelljen e organeve të zbatimit të ligjit gjatë G8 në Gjenovë. Një hetim i tillë mund të hidhte dritë mbi përgjegjësitë brenda zinxhirit të komandës dhe do mundësonte dhënien e sanksioneve administrative nëse ishte e nevojshme. Mungesa e një hetim administrativ ishte konfirmuar nga Qeveria (shih paragrafin 280 më poshtë) dhe nga dëshmitë e dhëna nga koloneli Truglio në "gjyqin e të njëzet e pesëve".
273. Ata vijuan duke deklaruar se, asnjë vlerësim nuk ishte bërë në asnjë moment lidhur me përgjegjësitë e përgjithshme të autoriteteve për mangësitë në planifikimin, koordinimin dhe kryerjen e operacioneve dhe paaftësinë e tyre për të siguruar përdorimin proporcional të forcës në mënyrë që të shpërndante, demonstruesit. Nuk ka pasur inspektim lidhur me urdhrat e lëshuara për forcat e zbatimit të ligjit apo arsyet përse këta të fundit ishin pajisur vetëm plumba të vërtetë. Prokuroria nuk e kishte konsideruar në asnjë moment përgjegjësinë e eprorëve të M.P. të cilët kishin lënë një armë vdekjeprurëse në duart e një karabinieri i cili u konsiderua i papërshtatshëm për të qëndruar në krye të detyrës.
274. Nëse Qeveria ishte korrekt në pohimin e tyre se hetimi nuk mund të shtrihej për persona të tjerë përveç atyre të dyshuar për kryerjen e veprës penale, atëherë ishte e drejta e brendshme ajo që ishte në kundërshtim me nenin 2 të Konventës. Për më tepër, prokurori i çështjes, në kërkesën për pushimin e çështjes, u ishte referuar problemeve (pa specifikuar se cilat mund të ishin ato). Fakti që ky konstatim nuk kishte çuar në një hetim lidhur me shkaqet e problemeve dhe kush ishin përgjegjës për to, gjithashtu përbënte shkelje të Konventës për shkak të zgjedhjes së organit të prokurorisë për të kryer një hetim të paplotë.
275. Kërkuesit kritikuan faktin se, eprorët e M.P. (oficerët Leso, Truglio, Cappello dhe Mirante) jo vetëm që nuk ishin dënuar, por ishin ngritur në detyrë. Për më tepër, disa policë të dyshuar për arrestimin e paligjshëm dhe ushtrimin e dhunës ndaj demonstruesve, gjithashtu ishin promovuar. Megjithatë, në një vendim të datës 18 maj 2010, Gjykata e Apelit e Gjenovës kishte dënuar disa prej këtyre oficerëve të lartë me burgim nga tre vjet e tetë muaj deri në pesë vjet për vepra penale të kryera në shkollën Diaz gjatë G8 (njëzet e pesë persona nga njëzet e shtatë të akuzuar ishin dënuar me burg, që arrinte në një total prej tetëdhjetë e pesë vitesh). Ditën pas daljes së vendimit, Nën-Sekretari i Punëve të Brendshme kishte deklaruar se asnjë prej oficerëve të lartë të dënuar nuk do të shkarkohej nga detyra dhe se ata vazhdonin të gëzonin besimin e Ministrit.
(ii) Qeveria
276. Duke iu referuar vëzhgimeve të tyre në lidhje me rrethanat në të cilat hetimi do të mund të konsiderohet me mangësi (shih paragrafin 269 më lart), Qeveria pohoi se, duke qenë se asnjë përgjegjësi nuk u ngrit në lidhje me zhvillimin e operacioneve të rendit publik, fakti që nuk qenë objekt hetimi ishte pa pasoja. Dhoma vetë kishte konkluduar se planifikimi dhe organizimi i G8 në Gjenovë kishte qenë në përputhje me detyrimin për të mbrojtur jetën sipas nenit 2. Prandaj, nuk kishte asnjë arsye për të hetuar personat përgjegjës për planifikimin.
277. Dhoma kishte kritikuar hetimin për mos shpjegimin e arsyeve pse M.P. nuk ishte dërguar direkt në spital, ishte lënë në posedim të një pistoletë të mbushur dhe ishte vendosur në një xhip që ishte bllokuar dhe nuk kishte asnjë mbrojtje. Qeveria vërejti se hetimi i brendshëm nuk kishte mundur të përcaktonte me siguri nëse xhipat kishin ndjekur togën e karabinierëve me iniciativën e drejtuesve të mjeteve apo ata ishin urdhëruar për ta bërë këtë. Në çdo rast, kjo kishte qenë mënyra e vetme e arsyeshme për të vepruar duke qenë se xhipat e kishin të nevojshme për të udhëtuar së bashku dhe nën mbrojtjen e togës. M.P. ishin vendosur në xhip për shkak të një ngjarje e papritur (gjendja e tij personale) dhe automjeti ishte bllokuar për shkak të "kurthit" të vendosur nga ana e demonstruesve. Arma e zjarrit kishte qenë mjeti që M.P. kishte për të mbrojtur veten.
278. Duke qenë se M.P. kishte vepruar në vetëmbrojtje, ishte e vështirë për të përcaktuar përgjegjësitë e atyre që ishin përgjegjës për organizimin e operacioneve të rendin publik. Neni 7 i Konventës kërkon, për qëllimet e dhënies së një dënimi, një lidhje intelektuale (dijeni dhe qëllim) për të zbuluar një element të përgjegjësisë në sjelljen e personit, i cili kishte kryer fizikisht veprën (Qeveria iu referua Sud Fondi S.r.l dhe Të tjerë kundër Italisë, nr. 75909/01, § 116, 20 janar 2009). Në rastin konkret nuk kishte shkelje fizike apo dijeni për të dhe as qëllim për të kryer një vepër të tillë nga forcat policore të samitit të G8.
279. Për më tepër, përgjegjësia penale ishte absolutisht personale dhe presupozonte një lidhje shkakësore ku vepra në fjalë ishte pasojë e drejtpërdrejtë dhe e menjëhershme e veprimit të kundërshtuar. Çdo mangësi apo problem lidhur me organizimin, menaxhimin dhe drejtimin e operacioneve të rendit publik në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet të ketë qenë shkaku i drejtpërdrejtë i ngjarjeve tragjike në Piazza Alimonda. Prandaj do të ishte e tepërt për të zgjeruar hetimin duke përfshirë oficerë të rangut të lartë të policisë ose duke u përpjekur për të identifikuar persona të tjerë potencialisht përgjegjës. Nëse vendimi i Dhomës do të konfirmohej në këtë pikë Shteti do të ishte i detyruar për të kryer hetime të pakuptimta dhe të dëmshme që nuk do të jepnin asnjë rezultat dhe do të ndërhynin në mënyrë arbitrare në jetën e individëve të pafajshëm.
280. Asnjë hetim administrativ apo disiplinor nuk kishte nisur në lidhje me karabinierët. Megjithatë, dy procese penale ishin në pritje kundër disa oficerëve të policisë për akte të ushtrimit të pretenduar të dhunës kundër demonstruesve më 21 dhe 22 korrik 2001, pas vdekjes së Carlo Giuliani. "Konteksti i përgjithshëm" i G8 ishte gjithashtu ekzaminuar në rrjedhën e hetimit parlamentar (shih paragrafët 107-117 më sipër), nga "gjyqi i të njëzet e pesëve" (shih paragrafët 121-138 më sipër) dhe hetimet e kryera nga Ministria e Punëve të Brendshme (shih paragrafin 140 më lart).
(b) Vendimi i Dhomës
281. Dhoma kritikoi faktin se hetimi i brendshëm ishte kufizuar në përcaktimin e përgjegjësisë së M.P. dhe F.C. dhe nuk kishte hetuar "kontekstin e përgjithshëm" në mënyrë që të përcaktohej nëse autoritetet kishin planifikuar dhe menaxhuar operacionet rendit publik në mënyrë të tillë që të parandaloheshin incidente të llojit që i kishin shkaktuar vdekjen Carlo Giuliani. Në veçanti, asnjë dritë nuk ishte hedhur mbi arsyet e mos dërgimit të menjëhershëm të M.P. në spital, të lënies në posedim të tij të një pistolete të mbushur dhe që ishte lejuar të hipte në një xhip të bllokuar dhe pa mbrojtje. Këto pyetje kishin kërkuar një përgjigje, duke pasur parasysh se "e shtëna fatale lidhej ngushtësisht me situatën në të cilën M.P. dhe F.C. ishin gjendur "(shih paragrafët 252-254 të vendimit të Dhomës).
3. Pretendimi për mangësi të tjera në hetimin e brendshëm
282. Kërkuesit pretendonin se kishte pasur mangësi të tjera të shumta në hetimin e brendshëm. Qeveria e kundërshtoi këtë pretendim. Dhoma nuk e konsideroi të nevojshme shqyrtimin e këtyre çështjeve (shih paragrafin 255 të vendimit të Dhomës).
(a) Parashtrimet e palëve
(i) Kërkuesit
283. Kërkuesit pretenduan se hetimi nuk kishte qenë i paanshëm dhe i pavarur, nuk kishte qenë i plotë dhe, duke pasur parasysh vendimin për të pushuar çështjen, i kishte privuar ata nga një proces publik, pra edhe nga një shqyrtim publik i rrethanave të vdekjes të të afërmit të tyre.
284. Në kërkesën për pushimin e çështjes prokurori i çështjes kishte shprehur pasiguri për qëllimet e M.P., duke konkluduar se nuk ishte e mundur të përcaktohej nëse M.P. kishte dashur thjesht të trembte sulmuesit e tij apo ishte munduar të mbronte veten duke qëlluar në drejtim të tyre, duke pranuar rrezikun që edhe mund të godiste dikë. Sipas autoritetit të ndjekjes penale, mund të ishte ose rasti i shkaktimit të vdekjes nga pakujdesia, ose rasti kur me vetëdije kishte marrë parasysh rrezikun se mund të vriste dikë ose kishim të bënim me një vrasje me dashje. Duke hedhur poshtë mundësinë e tretë (pa shpjegimin e duhur), prokurori kishte arritur në përfundimin se M.P. kishte vepruar në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme dhe se duhej kërkuar pushimi i çështjes për shkak ekzistencës së "dyshimeve" mbi shkaqet e justifikimeve (shih paragrafët 72-75 më lart). Në parashtrimeve të kërkuesve, mungesa e qartësisë nga ana e organit të akuzës lidhur me rindërtimin e fakteve e bënte të nevojshëm një hetim të mëtejshëm.
285. Kërkuesit pranuan se ata kishin pasur mundësi të kundërshtonin kërkesën e prokurorit për të pushuar çështjen dhe se pas kundërshtimit nga ana e tyre, ishte zhvilluar një seancë në mënyrë private përpara GIP. Megjithatë, seanca ishte kryer me dyer të mbyllura, me praninë vetëm të palëve dhe avokatëve të tyre. Për më tepër, GIP në marrjen e vendimit të tij do bazohej në provat e paraqitura nga autoriteti i ndjekjes penale, të cilët kishin pranuar në mënyrë efektive dhe pa dyshim versionin e ngjarjeve të paraqitur nga përfaqësuesit e organeve të zbatimit të ligjit, pa iu dhënë mundësi palës së dëmtuar për të marrë në pyetje të akuzuarin, dëshmitarët dhe ekspertët. GIP i kishte rindërtuar faktet në bazë të një adrese anonime në një faqe interneti që mund të kishte lidhje me anarkistët francezë; një seancë publike gjyqësore duhet të ishte mbajtur për të vërtetuar saktësinë e kësaj adrese në internet. Së fundi, kërkuesit pohuan se nuk kishin asnjë mjet efektiv për të kundërshtuar vendimin e GIP për të pushuar çështjen, duke qenë se apelimi për çështje të së drejtës ishte i pranueshëm vetëm për pavlefshmëri, dhe rrjedhimisht nuk zbatohej në rastin konkret (neni 409 § 6 të KPP - shih paragrafin 151 më lart).
286. Gjithashtu duhej të mbahej parasysh se, ekspertizat e urdhëruara nga prokurori i çështjes kishin nxjerrë përfundime kontradiktore. Kërkuesit theksuan pikat e mëposhtme:
(a) sipas ekspertizës balistike "Cantarella" (5 dhjetor 2001), kishte një probabilitet 90% se, gëzhoja e gjetur brenda në xhip i përkiste armës së M.P., ndërsa gëzhoja e gjetur pranë trupit të Carlo Giuliani kishte vetëm një probabilitet 10% që i përkiste së njëjtës armë (shih paragrafin 54 më sipër);
(b) ekspertiza balistike "Manetto" (15 janar 2002) gjeti se të dy gëzhojat i përkisnin armës së M.P. dhe se e shtëna fatale ishte gjuajtur me një kënd në rënie, nga një distancë ndërmjet 110 dhe 140 centimetra (shih paragrafin 55 më lart );
(c) raporti balistik i 26 korrikut 2002 nga një panel ekspertësh arriti në përfundimin se para se të godiste Carlo Giuliani, plumbi ishte përplasur me një objekt që kishte devijuar trajektoren e tij (shih paragrafët 56-62 më lart);
(d) sipas ekspertizës mjeko-ligjore, M.P. kishte gjuajtur poshtë dhe trajektorja e plumbit nuk ishte devijuar (shih paragrafin 50 më lart).
287. Për më tepër, Z. Romanini nuk duhej të ishte emëruar si ekspert, për shkak të faktit se në shtator 2001 ai kishte botuar një artikull në një revistë të specializuar për armët, në të cilën ai deklaronte se sjellja e M.P. duhej konsideruar si një "reagim i qartë dhe tërësisht i justifikuar mbrojtës" (shih paragrafin 56 më lart). Pikëpyetjet në lidhje me paanshmërinë e Z. Romanini ishin ngritur nga gazeta Il Manifesto më 19 mars 2003, që do të thotë, para se të merrej vendimi për të pushuar çështjen më 5 maj 2003. Duke qenë se çështja nuk kishte përparuar përtej fazës së hetimeve paraprake, kërkuesit nuk kishin pasur mundësi për të kërkuar përjashtimin e Z. Romanini. Ekzaminimi mjeko-ligjor, në të cilin ai kishte marrë pjesë ishte, për më tepër, i një rëndësie të madhe, pasi ai kishte ngritur hipotezën e objektit të ndërmjetëm, të cilën GIP e kishte pranuar.
288. Për më tepër, duke qenë se autoriteti gjyqësor nuk kishte vepruar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nuk kishte arritur ta ruante atë, plumbat nuk ishin gjetur, dhe si rezultat nuk kishte qenë e mundur kryerja e ekzaminimeve të duhura balistike. Vetëm dy gëzhoja ishin gjetur, dhe nuk ishte as e sigurt nëse ishin gëzhojat e plumbave të qëlluar nga arma e M.P.
289. Në lidhje me setin e parë dhe të dytë të ekspertizave balistike, kërkuesit pranuan se ata në teori mund t’i kërkonin prokurorit të çështjes që ky i fundit të kërkonte nga GIP marrjen e menjëhershme të provave. Megjithatë, duke parë se prokurori vetë kishte bërë një kërkesë të tillë dhe ajo ishte refuzuar, kërkuesit nuk e menduam të logjikshme të bënin të njëjtën kërkesë.
290. Prokurori i çështjes gjithashtu kishte vendosur t’ia besonte një pjesë të konsiderueshme të hetimeve karabinierëve, dhe në veçanti komandës provinciale të Gjenovës dhe brigadës së lëvizshme të kuesturës së Gjenovës. Në veçanti, karabinierët kishin:
– konfiskuar armën e MP-së dhe kishin certifikuar se ajo kishte në karikator më pak se pesëmbëdhjetë fishekë;
– kryer inspektimin fillestar të trupit të Carlo Giuliani dhe të xhipave;
– konfiskuar një nga xhipat dhe materialet brenda tij, duke përfshirë edhe një gëzhojë;
– mbledhur prova fotografike të pajisjeve të cilat M.P. mbante në kohën e ngjarjeve;
– mbledhur, kontrolluar dhe shqyrtuar materialet audio vizuale në lidhje me ngjarjet e 20 korrik 2001;
– përpiluar procesverbalet e disa prej dëshmive të bëra para prokurorit.
291. Kërkuesit theksuan më tej se menjëherë pas vdekjes së Carlo Giuliani, M.P., D.R. dhe F.C. ishin larguar nga vendngjarja (me xhipin dhe armët) dhe nuk ishin paraqitur deri në momentin kur prokurori i çështjes kishte filluar marrjen e dëshmive disa orë më vonë. Ata ishin pyetur nga eprorët e tyre dhe kishin pasur mundësi të komunikonin me njëri tjetrin para se të merreshin në pyetje nga prokurori. Për më tepër, D.R. ishte marrë në pyetje një ditë pas ngjarjeve dhe disa prej oficerëve të zbatimit të ligjit të pranishëm në vendin e ngjarjes ishin pyetur vetëm pas një vonese të konsiderueshme (Kapiten Cappello ishte pyetur më 11 shtator 2001 dhe zëvendësi i tij Zappia më 21 dhjetor 2001).
292. Në pikëpamjen e kërkuesve, disa karabinierë dhe oficerë policie, si dhe vetë kuestori, duhet të kishin qenë nën hetim në procedura gjyqësore në lidhje me vdekjen e Carlo Giuliani. Kuestura e Gjenovës kishte luajtur një "rol të rëndësishëm" në planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e operacioneve të rendit publik gjatë samitit të G8. Kuestori i Gjenovës ishte zyrtari më i lartë përgjegjës për rendin publik, qendra operative e policisë drejtohej nga kuestura dhe oficerët e kësaj të fundit kishin lëshuar dhe zbatuar urdhrat për të ndërhyrë kundër marshimit Tute Bianche. Për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve prokurori duhej t’i kishte besuar disa veprime hetimore Policisë Financiare (Guardia di Finanza), një degë e policisë e cila nuk ishte implikuar në ngjarjet në fjalë.
(ii) Qeveria
293. Qeveria parashtroi se hetimi ishte kryer me shpejtësinë e duhur. Organet gjyqësore kishte bërë të gjitha përpjekjet në kërkimin e fakteve për të rindërtuar ngjarjet, duke përdorur teknologjitë më të përparuara, si dhe metodat më tradicionale. Prandaj, prokurori dhe hetuesit kishin marrë në pyetje edhe personat të cilët tashmë ishin pyetur, kur kishte qenë e nevojshme, dhe kishin marrë edhe dëshmitë nga banorët lokalë, të cilët kishin përjetuar ngjarjet. Ishte bërë një rindërtim i ngjarjeve dhe ishin kryer teste qitjeje në vendngjarje. Një numër i madh i materialeve audio vizuale, të marra nga organet e zbatimit të ligjit dhe nga burime private, ishin përfshirë në dosjen e lëndës. Tre sete ekspertizash balistike ishin urdhëruar nga prokuroria dhe GIP ishte mbështetur në materiale nga burime që kishin qenë pranë vetë demonstruesve (nga publikime nga një llogari interneti në një faqe interneti anarkiste).
294. Hetimi kishte qenë i hapur për kërkuesit, të cilët kishin pasur mundësi të merrnin pjesë që nga fillimi nëpërmjet përfaqësuesve të tyre ligjorë dhe ekspertëve të zgjedhur prej tyre. Në veçanti, ekspertët e kërkuesve kishin marrë pjesë në setin e tretë e ekspertizave balistike dhe në rindërtimin e ngjarjeve (shih paragrafin 57 më lart).
295. Kërkuesit, gjithashtu, kishin pasur mundësi për të kundërshtuar dhe për të paraqitur kërkesa kur kundërshtuan pushimin e çështjes, dhe GIP kishte arsyetuar mjaft hollësisht refuzimin e kërkesës së tyre për hetime të mëtejshme (shih paragrafin 104 më lart). Ndërsa ishte e vërtetë se kërkuesit nuk kishin qenë në gjendje të kërkonin marrjen e menjëhershme të provave në lidhje me hapat e parë të hetimit, kontrollet e këtij lloji ishin një çështje ekskluzivisht për policinë. Kur u krye seti i tretë i ekspertizave balistike, prokurori u kishte kërkuar palëve nëse kishin ndonjë kundërshtim për ndjekjen e procedurës sipas nenit 360 të KPP-së, dhe nuk kishte pasur kundërshtime. Ndërsa Qeveria pranoi se, seti i parë dhe i dytë i ekspertizave balistike ishin kryer në mënyrë të njëanshme (shih paragrafët 54 dhe 55 më lart), ata parashtruan se këto kanë qenë jo më shumë se kontrolle rutinë, që synonin vetëm në përcaktimin nëse gëzhojat e gjetura i përkisnin apo jo armës që mbante M.P. Për më tepër, M.P. kishte pranuar tashmë qitjen e dy të shtënave dhe arma, gjithsesi, ishte ekzaminuar përsëri gjatë setit të tretë të ekspertizave balistike.
296. Menjëherë pas tragjedisë policia e Gjenovës (squadra mobile della questura di Genova) kishte ndërhyrë dhe kishte marrë në dorë hetimin. Karabinierët ishin përfshirë vetëm në detyrat e një rëndësie më të vogël dhe kryesisht, për të sekuestruar objektet të cilat ishin në zotërim të tyre - për shembull, automjeti dhe arma - ose për thirrjen e karabinierëve të cilët duheshin të paraqiteshin. Përveç kësaj, prokuroria kishte mbajtur në minimum numrin e detyrave të deleguara, duke preferuar t’i kryente vetë intervistat më të rëndësishme dhe gjithashtu ato intervista ku personi që merrej në pyetje mund të ndikohej nga fakti se intervistuesi i tij ishte një oficer policie. Duke pasur parasysh nivelin e autonomisë dhe pavarësinë e gjyqësorit në Itali dhe faktin se, në hetime ishte e pashmangshme përfshirja e një autoriteti policor, nuk mund të thuhej se Shteti nuk kishte qenë i paanshëm. Për më tepër, rezultatet e hetimit dhe arsyet e dhëna për pushimin e çështjes nuk të bënin të mendohej se nuk kishte ndonjë përpjekje për të mbuluar apo fshehur diçka.
297. Të gjithë ekspertët e caktuar nga prokuroria ishin civilë, me përjashtim të ekspertit të dytë të balistikës, i cili ishte një oficer i policisë (shih paragrafin 55 më lart). Në kohën e emërimit të Z. Romanini organi prokurorisë nuk kishte qenë në dijeni lidhur me mendimin e shprehur prej tij se M.P. kishte vepruar në vetëmbrojtje (shih paragrafin 56 më sipër). Në parashtrimet e Qeverisë, qëllimi i artikullit të Z. Romanini kishte qenë thjesht për të propozuar një teori politike të bazuar në një krahasim ndërmjet incidentit në fjalë dhe një tragjedie të mëparshme në Napoli. Fakti që Z. Romanini kishte shkruar artikullin nuk e bënte atë të papërshtatshëm për të kryer detyrat e tij në një mënyrë objektive dhe të paanshme, pasi detyra e tij nuk konsistonte në gjetjen e fakteve që mbështesnin hipotezën se M.P. kishte vepruar në vetëmbrojtje. Panelit të ekspertëve i ishte kërkuar, në mënyrë të veçantë, për të dhënë pikëpamjet e tij lidhur me trajektoren e plumbit. Për më tepër, roli i Z. Romanini ishte i kufizuar në kryerjen e testeve të qitjeve në prani të ekspertëve të tjerë, kërkuesve dhe ekspertëve të këtyre të fundit. Një procedure e tillë "thjesht teknike dhe fizike në thelb" nuk ofronte hapësirë për të formuar gjykime të cilat mund të influenconin rezultatin e hetimit. Qeveria më tej vërejti se, kërkuesit nuk e kishin kundërshtuar emërimin e Z. Romanini.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e përgjithshme
298. Duke pasur parasysh karakterin e tyre themelor, nenet 2 dhe 3 të Konventës përmbajnë një detyrim procedural për të kryer një hetim efektiv të shkeljeve të pretenduara të elementeve materiale të këtyre dispozitave (shih Ergi kundër Turqisë, 28 korrik 1998, § 82, Raportet 1998-IV; Assenov dhe të tjerë kundër Bullgarisë, 28 tetor 1998, §§ 101-106, Raportet 1998 -VIII dhe Mastromatteo, cituar më lart, § 89). Një ndalim ligjor i përgjithshëm i vrasjes arbitrare nga agjentët e Shtetit do të ishte i paefektshëm, në praktikë, nëse nuk do të ekzistonte asnjë procedurë për shqyrtimin e ligjshmërisë së përdorimit të forcës vdekjeprurëse nga autoritetet shtetërore. Detyrimi për të mbrojtur të drejtën e jetës sipas kësaj dispozite, i lexuar në lidhje me detyrimin e përgjithshme të shtetit sipas nenit 1 të Konventës për t’i "siguruar çdokujt brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Titullin I të kësaj Konvente", rrjedhimisht kërkon hetime efektive zyrtare kur individët janë vrarë si pasojë e përdorimit të forcës nga, inter alios, agjentët e Shtetit (shih McCann dhe të Tjerë, cituar më lart, § 161). Shteti duhet pra të sigurojë, me të gjitha mjetet në dispozicion të tij, një përgjigje adekuate - gjyqësore apo të ndonjë lloji tjetër - në mënyrë që kuadri ligjor dhe administrativ për të mbrojtur të drejtën e jetës të zbatohet siç duhet dhe çdo shkelje e kësaj të drejte të shtypet dhe dënohet (shikoni Zavoloka kundër Letonisë, nr. 58447/00, § 34, 7 korrik 2009).
299. Detyrimi i Shtetit për të kryer një hetim efektiv është konsideruar sipas jurisprudencës së Gjykatës si një detyrim që buron nga neni 2, i cili kërkon, inter alia, "mbrojtjen me ligj" të së drejtës për jetën. Edhe pse dështimi për të përmbushur një detyrim të tillë mund të ketë pasoja për të drejtën e mbrojtur sipas nenit 13, detyrimi procedural i nenit 2 është parë si një detyrim i veçantë (shih Ilhan kundër Turqisë [GC], nr. 22277/93, §§ 91-92, ECHR 2000-VII; Öneryıldız kundër Turqisë [GC], nr. 48939/99, § 148, ECHR 2004-XII; dhe Šilih v Slloveni [GC], nr. 71463/01, §§ 153-154, 9 prill 2009)). Mund të konsiderohet një "ndërhyrje" e veçantë dhe e pavarur. Ky konkluzion rrjedh nga fakti se Gjykata ka shqyrtuar vazhdimisht çështjen e detyrimeve procedurale në mënyrë të ndarë nga çështja e pajtueshmërisë me detyrimet materiale (dhe, kur ka qenë rasti, ka gjetur një shkelje të veçantë të nenit 2 lidhur me këtë) dhe fakti se në disa raste është pretenduar shkelje e detyrimit procedural sipas nenit 2 në mungesë të ndonjë pretendimi lidhur me elementin material të kësaj dispozite. (shih Šilih, cituar më sipër, §§ 158 159).
300. Në rastet kur hetohen vrasje të paligjshme që dyshohen se janë kryer nga agjentët e Shtetit, që hetimet të jenë efektive, konsiderohet përgjithësisht si e nevojshme që personat përgjegjës dhe ata që kryejnë hetimin të jenë të pavarur nga ata që janë përfshirë në ngjarje (shih, për shembull, Güleç, cituar më lart, §§ 81-82, dhe Oğur, cituar më lart, §§ 91-92). Kjo do të thotë jo vetëm mos ekzistencën e lidhjeve hierarkike apo institucionale por edhe pavarësi praktike. Çfarë është në rrezik këtu është asgjë më pak se besimi i publikut në monopolin e Shtetit mbi përdorimin e forcës (shih Hugh Jordan, cituar më lart, § 106; Ramsahai dhe të Tjerë [GC], cituar më lart, § 325; dhe Kolevi kundër Bullgarisë, nr. 1108-1102, § 193, 5 nëntor 2009).
301. Hetimi, gjithashtu duhet të jetë efektiv në kuptimin që, ai është e aftë të çojë në përcaktimin nëse forca e përdorur ishte apo nuk ishte e justifikuar nga rrethanat (shih, për shembull, Kaya kundër Turqisë, 19 shkurt 1998, § 87, Raportet 1998-I) dhe identifikimin dhe kur është rasti ndëshkimi e përgjegjësve (shih Ogur, cituar më lart, § 88). Kjo nuk është një detyrim lidhur me rezultatin, por me mjetet. Autoritetet duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e arsyeshme për të siguruar provat në lidhje me incidentin, duke përfshirë, inter alia, dëshmitë e dëshmitarëve okularë, ekspertizat mjeko-ligjore dhe, aty ku është e përshtatshme, një autopsi e cila ofron një pasqyrë të plotë dhe të saktë të dëmtimeve dhe një analizë objektive të përfundimeve klinike, duke përfshirë edhe shkakun e vdekjes (lidhur me autopsitë, shih, për shembull, Salman kundër Turqisë [GC], nr. 21986/93, § 106, ECHR 2000-VII; lidhur me dëshmitarët, shih, për shembull, Tanrıkulu kundër Turqisë [GC], nr. 23763/94, § 109, ECHR 1999-IV; për sa i përket ekzaminimeve mjeko-ligjore, shih, për shembull, Gül kundër Turqisë, nr. 22676/93, § 89, 14 dhjetor 2000). Çdo mangësi në hetim, e cila minon aftësinë e tij për të nxjerrë përfundime lidhur me shkakun e vdekjes ose personin përgjegjës, do të rrezikojë që hetimi të mos e përmbushë standardin e efektivitetit (shih Avşar, cituar më lart, §§ 393-395).
302. Në veçanti, konkluzionet e hetimit duhet të jenë të bazuara në një analizë të plotë, objektive dhe të paanshme të të gjitha elementeve përkatëse. Dështimin për të ndjekur një linjë të qartë hetimi dëmton në masë vendimtare aftësinë e hetimit për të sqaruar rrethanat e rastit dhe identifikimin e përgjegjësve (shih Kolevi, cituar më lart, § 201). Megjithatë, natyra dhe shkalla e kontrollit të cilat plotësojnë nivelin minimal të efektivitetit të hetimit, varet nga rrethanat e rastit të veçantë. Ato duhet të vlerësohen në bazë të të gjitha fakteve relevante dhe në lidhje me realitetin praktik të punës hetimore (shih Velcea dhe Mazăre kundër Rumaninë, nr. 64301/01, § 105, 1 dhjetor 2009).
303. Përveç kësaj, hetimi duhet të jetë i hapur për familjen e viktimës deri në masën e nevojshme për të mbrojtur interesat e tyre legjitime. Hetimi gjithashtu duhet të jetë i hapur edhe për publikun, shkalla e bërjes publike të të cilit mund të ndryshojnë nga rasti në rast (shih Hugh Jordan, cituar më sipër, § 109, dhe Varnava dhe të Tjerët kundër Turqisë [GC], nr. 16064 / 90, 16065/90, 16066/90, 16068/90, 16069/90, 16070/90, 16071/90, 16072/90 dhe 16073/90, § 191, ECHR 2009 ..., shih gjithashtu Güleç, cituar më sipër, § 82, ku i ati i viktimës nuk ishte informuar për vendimin për mos ndjekje penale, dhe Oğur, cituar më lart, § 92, ku familja e viktimës nuk kishte pasur qasje në hetim apo në aktet gjyqësore).
304. Megjithatë, zbulimi apo publikimi i raporteve të policisë dhe materialet hetimore mund të përfshijë çështje të ndjeshme me pasoja të dëmshme për individët privatë apo hetime të tjera dhe, për këtë arsye, nuk mund të konsiderohet si një kërkesë absolute sipas nenit 2. Aksesi i nevojshëm i publikut apo të afërmve të viktimës mund të sigurohet për këtë arsye në fazat e tjera të procedurës (shih, midis vendimesh të tjera, McKerr kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 28883/95, § 129, ECHR 2001-III). Për më tepër, neni 2 nuk vendos një detyrim mbi autoritetet hetimore për të kënaqur çdo kërkesë të bërë nga një i afërm në rrjedhën e hetimit për një masë të caktuar hetimore (shih Ramsahai dhe të Tjerëve [GC], cituar më sipër, § 348, dhe Velcea dhe Mazăre, cituar më sipër, § 113).
305. Detyrimi për t’u përgjigjur shpejt dhe brenda një kohe të arsyeshme nënkuptohet në këtë kontekst (shih Yaşa kundër Turqisë, 2 shtator 1998, §§ 102-104, Raportet 1998-VI, Tanrıkulu, cituar më lart, § 109; dhe Mahmut Kaya kundër Turqisë, nr. 22535/93, §§ 106-107, ECHR 2000-III). Duhet të pranohet se mund të ketë pengesa apo vështirësi që pengojnë zhvillimin e një hetimi në një situatë të veçantë. Megjithatë, një përgjigje e shpejtë e autoriteteve për hetimin e rasteve të përdorimit të forcës vdekjeprurëse në përgjithësi mund të konsiderohet si thelbësore në ruajtjen e besimit të publikut në shtetin e së drejtës dhe në parandalimin e ndonjë bashkëpunimi apo tolerance ose e akteve të paligjshme (shih McKerr, cituar më sipër, §§ 111 dhe 114, si dhe Opuz, cituar më lart, § 150).
306. Megjithatë, nuk mund të nxirret nga më sipër se neni 2 njeh të drejtën për të ndjekur penalisht apo dënuar palë të treta për një vepër penale (shih Šilih, cituar më lart, § 194, shih gjithashtu, mutatis mutandis, Perez kundër Francës [GC], nr. 47287/99, § 70, ECHR 2004-I) apo vendos detyrimin absolut që për të gjitha ndjekjet penale të kemi një dënim (shih Zavoloka, cituar më lart, § 34 (c)).
Nga ana tjetër, gjykatat kombëtare nuk duhet në asnjë rrethanë të lejojnë që vepra që rrezikojnë jetën të mos ndëshkohen. Pra, detyra e Gjykatës konsiston në shqyrtimin nëse dhe në çfarë mase gjykatat, për të arritur në konkluzionin e tyre, e kanë shqyrtuar rastin në mënyrë të kujdesshme siç kërkohet nga neni 2 i Konventës, në mënyrë që efekti frenues i sistemit gjyqësor në vend dhe rëndësia e rolit që i kërkohet të luajë në parandalimin e shkeljeve të së drejtës për jetën nuk janë dëmtuar (shih Öneryıldız, cituar më lart, § 96, dhe Mojsiejew kundër Polonisë, nr. 11818/02, § 53, 24 mars 2009).
2. Zbatimi i këtyre parimeve në çështjen konkrete
307. Gjykata vëren që në fillim se ajo sapo ka arritur në përfundimin, nga pikëpamja e elementit material të nenit 2, se përdorimi i forcës vdekjeprurëse ishte "absolutisht i nevojashëm në mbrojtjen e çdo personi nga dhuna e paligjshme" (shih paragrafin 194 më sipër) dhe se nuk ka pasur shkelje të detyrimit pozitiv për të mbrojtur jetën për shkak të organizimit dhe planifikimit të operacioneve policore gjatë samitit të G8 në Gjenovë dhe ngjarjet tragjike në Piazza Alimonda (shih paragrafin 262 më lart).
308. Në arritjen e atij përfundimi Gjykata, në bazë të informacionit të dhënë nga hetimet e brendshme, kishte prova të mjaftueshme në dispozicion për të konkluduar se M.P. kishte vepruar në vetëmbrojtje, në mënyrë që të mbronte jetën dhe integritetin e tij fizik dhe ato të personave të tjerë në xhip kundër një kërcënimi serioz dhe të pashmangshëm, dhe se asnjë detyrim në lidhje me vdekjen e Carlo Giuliani nuk do të mund t’i atribuohej në bazë të nenit 2 të Konventës personave përgjegjës për organizimin dhe planifikimin e samitit të G8 në Genova.
309. Ajo vijon se, hetimi kishte qenë mjaft efektiv për të mundësuar që të përcaktohej nëse përdorimi i forcës vdekjeprurëse ishte i justifikuar në rastin në fjalë (shih precedentin e cituar në paragrafin e mësipërm 301) dhe nëse organizimi dhe planifikimi i operacioneve policore kishin qenë në përputhje me detyrimin për të mbrojtur jetën.
310. Gjykata vëren më tej se, disa vendime të marra nga organizatorët e G8 dhe nga oficerët komandues të batalioneve të pranishme në terren ishin shqyrtuar dhe nënshtruar një vlerësimi kritik në rrjedhën e "gjyqit të njëzet e pesëve" (shih paragrafët 121-138 më lart) dhe të hetimit të kryer nga komisioni parlamentar (shih paragrafët 107-117 më sipër). Për më tepër, kuestura e Gjenovës ishte subjekt i një inspektimi administrativ (që identifikon problemet në organizimin e operacioneve të zbatimit të ligjit dhe incidentet "potencialisht të dënueshme") dhe Departamenti i Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme kishte propozuar marrjen e masave disiplinore ndaj disa oficerë të policisë dhe kuestorit të Gjenovës (shih paragrafin 140 më sipër).
311. Mbetet për t’u vlerësuar nëse kërkuesve u ishte dhënë akses në hetim në masën e nevojshme për të mbrojtur interesat e tyre legjitime, nëse procesi përmbushte kriterin e shpejtësisë që dilte si detyrim nga jurisprudenca e Gjykatës dhe nëse personat përgjegjës dhe ata që kryenin hetimet ishin të pavarur nga ata të përfshirë në ngjarje.
312. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se, është e vërtetë që sipas ligjit italian i dëmtuari nuk mund të marrë pjesë në proces si palë civile deri në seancën përgatitore, dhe se një seancë e tillë nuk ishte zhvilluar në rastin në fjalë. Megjithatë, në fazën e hetimit paraprak, palët e dëmtuara mund të ushtrojnë të drejtat dhe kompetencat të cilat ligji ua njeh shprehimisht. Këto përfshijnë të drejtën për t’i kërkuar prokurorit që ky i fundit t’i drejtohet GIP për marrjen e menjëhershme të provave (neni 394 i LPP) dhe të drejtën për të caktuar një përfaqësues ligjor. Përveç kësaj, palët e dëmtuara mund të paraqesin pretendime në çdo fazë të procedurës dhe, mund të kërkojnë, me përjashtim të procesit në Kasacion, pranimin e provave (neni 90 i LPP - shih Sottani, cituar më lart, ku këto konsiderata çuan Gjykatën në përfundimin se neni 6 § 1 i Konventës ishte i zbatueshëm në procedurën penale në të cilën kërkuesi merrte pjesë si palë e dëmtuar, por jo si palë civile).
313. Nuk është në diskutim në rastin konkret fakti që kërkuesit kishin pasur mundësi për të ushtruar këto të drejta. Në veçanti, ata kishin caktuar ekspertë sipas zgjedhjes së tyre, të cilët ishin udhëzuar për të përgatitur akt ekspertimet, të cilat ishin dorëzuar në prokurori dhe tek GIP (shih paragrafët 64-66 më lart), si dhe përfaqësuesit dhe ekspertët e tyre kishin marrë pjesë në setin e tretë të testeve balistike (shih paragrafin 57 më lart). Për më tepër, ata kishin qenë në gjendje të paraqisnin prapësime kundër kërkesës për të pushuar çështjen dhe të përcaktonin masat e tjera hetimore që ata dëshironin të kryheshin. Fakti që GIP i Gjenovës, duke ushtruar kompetencat e saj për të vlerësuar faktet dhe provat, refuzoi kërkesën e tyre (shih paragrafin 104 më sipër) nuk përbënte në vetvete shkelje të nenit 2 të Konventës, për me tepër vendimi i GIP lidhur me këto pika, sipas gjykimin të Gjykatës, nuk dukej të ishte në arbitrar.
314. Kërkuesit pretenduan në veçanti se, ata nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për të emëruar një ekspert të tyrin përpara se të kryhej autopsia më 21 korrik 2001. Ata gjithashtu u ankuan për natyrën "sipërfaqësore" të raportit të autopsisë dhe pamundësisë së kryerjes së ekzaminimeve të mëtejshme mjeko-ligjore për shkak të djegies së trupit (shih paragrafin 264 më lart).
315. Gjykata pranon se dhënia e njoftimit për kryerjen e autopsisë tre orë para zhvillimi të saj (shih paragrafin 48 më sipër), e bënë të vështirë në praktikë, nëse jo të pamundur, për palët të dëmtuara të ushtrojnë të drejtën e tyre për të emëruar një ekspert sipas zgjedhjes së tyre dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e këtij të fundit në ekspertimet mjeko-ligjore. Fakti mbetet, megjithatë, se neni 2 nuk kërkon, si i tillë, që të afërmve të viktimës t’u jepet një mundësi e tillë.
316. Gjithashtu është e vërtetë se, një ekzaminim mjeko-ligjor është i një rëndësie vendimtare në përcaktimin e rrethanave të vdekjes, mangësitë e konsiderueshme në kryerjen e të cilit, mund të përbëjë mangësi serioze të tilla sa të minojnë efektivitetin e hetimit të brendshëm. Gjykata arriti në përfundimin se, në veçanti, në një rast kur, pas akuzave se vdekja kishte qenë rezultat i torturës, raporti i autopsisë, i nënshkruar nga mjekët të cilët nuk ishin specialistë të mjekësisë ligjore, dështonte në dhënien e përgjigjeve për disa pyetje themelore (shih Tanlı, cituar më sipër, §§ 149-154).
317. Rasti konkret, megjithatë, dallonte dukshëm nga Tanlı. Për më tepër, kërkuesit nuk kishin siguruar dëshmi të ndonjë mungese serioze në autopsinë e kryer mbi Carlo Giuliani. Asgjë nuk tregonte se, ekspertët mjeko-ligjorë kishin dështuar për të përcaktuar me siguri shkakun e vdekjes; kërkuesit nuk kishin kundërshtuar para Gjykatës përfundimin e autoriteteve vendase që Carlo Giuliani kishte vdekur si pasojë e një të shtënë të qëlluar nga M.P.
318. Kërkuesit theksuan se ekspertët mjeko-ligjorë nuk e kishin nxjerrë dhe as regjistruar copëzën e plumbit të gjetur ne kafkën e viktimës gjatë skanimit të kryer të trupit të tij (shih paragrafin 266 më lart). Gjykata vëren se Z. Salvi, njëri prej ekspertëve, shpjegoi gjatë "gjyqit të njëzet e pesëve", se copa e vërejtur gjatë skanerit ishte shumë e vogël dhe shumë e vështirë për t’u gjetur për shkak të dëmtimit të indit të trurit si dhe sasia e madhe e gjakut. Ajo ishte konsideruar një "detaj i vogël" dhe kërkimet për ta gjetur ishin ndaluar ndërprerë (shih paragrafin 130 më lart).
319. Gjykata nuk e konsideron të nevojashëm vlerësimin e pertinencës së këtij shpjegimi. Për qëllimet e shqyrtimit të pretendimit të kërkuesve, ajo thjesht vëren se copëza në fjalë mund të kishte shërbyer për të hedhur dritë mbi trajektoren e plumbit fatal (dhe në veçanti nëse ajo kishte qenë shtrembëruar nga një tjetër objekt para se të godiste Carlo Giuliani). Megjithatë, siç Gjykata ka vërejtur në lidhje me elementin material të nenit 2 (shih paragrafët 192-193 më sipër), përdorimi i forcës do të ishte i justifikuar në bazë të kësaj dispozite edhe nëse "teoria e objektit të ndërmjetëm" do rrëzohej. Ajo vijon se copëza metalike në fjalë nuk ishte vendimtare për efektivitetin e hetimit. Për më tepër, Gjykata vëren se djegia e trupit të Carlo Giuliani, që e bëri ekzaminimin e mëtijshëm mjekësor të pamundur, ishte autorizuar me kërkesën e kërkuesve (shih paragrafin 49 më lart).
320. Gjykata gjithashtu vëren se detyrimet procedurale që rrjedhin nga neni 2 kërkojnë kryerjen e një "hetimi" efektiv dhe jo mbajtjen e seancave publike gjyqësore. Kështu, në qoftë se provat e mbledhura nga autoritetet ishin të mjaftueshme për të përjashtuar nga përgjegjësia penale agjentin e Shtetit i cili kishte përdor forcën, Konventa nuk e ndalonte ndërprerjen e procedurës në fazën e hetimit paraprak. Siç Gjykata ka vërejtur, dëshmitë e mbledhura nga autoritetet e ndjekjes penale, dhe në veçanti filmimet e sulmit në xhip, çojnë në përfundimin, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se M.P. kishte vepruar në vetëmbrojtje, e cila përbënte bazë për përjashtim nga përgjegjësia penale sipas së drejtës penale italiane.
321. Për më tepër, nuk mund të thuhet se prokurori e kishte pranuar pa e vërtetuar versionin e fakteve të paraqitur nga forcat e zbatimit të ligjit të implikuar në ngjarjet. Ata jo vetëm pyetën dëshmitarë të shumtë, duke përfshirë demonstrues dhe palë të treta që kishin qenë dëshmitar të ngjarjeve në Piazza Alimonda (shih paragrafët 45-46 më lart), por kishin urdhëruar edhe disa ekspertiza, duke përfshirë një ekspertizë mjeko-ligjore dhe tre grupe të testeve balistike (shih paragrafët 48-50 dhe 54-62 më lart). Fakti që ekspertët nuk binin dakord mbi të gjitha aspektet e rindërtimit të fakteve (dhe, në veçanti, lidhur me distancë nga e cili ishte dhe trajektoren e plumbit) nuk e bënte të nevojshme zhvillimin e hetimeve të mëtejshme, duke pasur parasysh se ishte gjyqtari ai që vlerësonte pertinencën e shpjegimeve të dhëna nga ekspertët e ndryshëm dhe nëse ato ishin në përputhje me ekzistencën e baza të justifikimit që e përjashtonin të akuzuarin nga përgjegjësia penale.
322. Është e vërtetë se karabinierëve, forca e armatosur pjesë e së cilës ishin M.P. dhe F.C., u ishte caktuar detyra e kryerjes së kontrolleve të caktuara (shih paragrafin 290 më lart). Sidoqoftë, në pikëpamje të natyrës teknike dhe objektive të këtyre kontrolleve, nuk mund të thuhej se ky fakt kishte ndikuar negativisht në paanshmërinë e hetimit. Të mbështesje të kundërtën do të thoshte të vendoseshin kufizime të papranueshme në shumë raste mbi të drejtën e gjykatave për të kërkuar ekspertizën e forcave të zbatimit të ligjit, të cilat shpesh kanë kompetencë të veçantë në këto çështje (shih, mutatis mutandis dhe nga pikëpamja e nenit 6 të Konventës, Emmanuello kundër Italisë (dec.), nr. 35791/97, 31 gusht 1999). Në rastin konkret, forcat e zbatimit të ligjit ishin të pranishme në vendin e ngjarjes dhe kështu kishin qenë në gjendje për të siguruar zonën dhe për të kërkuar dhe regjistruar të gjitha sendet që konsideroheshin të rëndësishme për hetimin. Duke pasur parasysh numrin e njerëzve në Piazza Alimonda dhe konfuzionin që mbizotëronte pas të shtënave, autoritetet nuk mund të kritikohen për mos gjetjen e objekteve të vogla si plumbat e gjuajtur nga M.P.
323. Sipas mendimit të Gjykatës, emërimi i Z. Romanini, si ekspert ngre disa çështje shumë delikate, pasi ai kishte mbrojtur haptazi qëndrimin, në një artikull të shkruar për një revistë të specializuar, se M.P. kishte vepruar në vetëmbrojtje (shih paragrafin 56 më lart). Duhet thënë lidhur me këtë se, raportet e ekspertëve në kuadër të hetimit ishin projektuar, ndër të tjera, për të siguruar prova në mbështetje ose jo të kësaj pikëpamje. Emërimi i një eksperti i cili kishte ide të formuar paraprakisht lidhur me temën ishte larg nga të qënit bindës (për sa i përket rolit të ekspertit në procedurën gjyqësore, shih Brandstetter kundër Austrisë, 28 gusht 1991, § 59, Seria A nr. 211). Megjithatë, Z. Romanini ishte vetëm një anëtar i një ekipi prej katër ekspertësh (shih, mutatis mutandis, Mirilashvili kundër Rusisë, nr. 6.293 / 04, § 179, 11 dhjetor 2008). Ai ishte emëruar nga autoritetet e ndjekjes penale dhe jo nga GIP dhe nuk po vepronte si një ndihmës neutral dhe i paanshëm i kësaj të fundit (shih, në ndryshim, Bönisch kundër Austrisë, 6 maj 1985, § 33, Seria A nr. 92, dhe Sara Lind Eggertsdóttir kundër Islandës, nr. 31930/04, § 47, ECHR 2007-VIII). Për më tepër, testet e kërkuara për t’u kryer prej tij për qëllime të raportit balistik ishin të një natyre tejet objektive dhe teknike. Prandaj, prania e tij nuk ishte në gjendje, në vetvete, të komprometonte paanshmërinë e hetimeve të brendshme.
324. Për më tepër, nuk ishte pretenduar nga kërkuesit se hetimi nuk ishte i paanashëm dhe i pavarur ose që forcat policore të cilat kishin kryer disa veprime hetimore ishin të implikuar në ngjarjet deri në atë masë sa që i tërë hetimi duhej t’i ishte besuar policisë financiare (shih pretendimet e kërkuesve në paragrafët 283 dhe 292 më lart).
325. Së fundi, për sa i përket shpejtësisë së hetimit, Gjykata vëren se ajo ishte kryer me gatishmërinë e duhur. Carlo Giuliani vdiq më 20 korrik 2001 dhe prokuroria mbylli hetimin paraprak, me një kërkesë për pushimin e çështjes, afërsisht një vit e katër muaj më vonë, në fund të vitit 2002. Më 10 dhjetor 2002, kërkuesit e kundërshtuan këtë kërkesë (shih paragrafin 76 më lart) dhe seanca para GIP të Gjenovës u zhvillua katër muaj më vonë, më 17 prill 2003 (shih paragrafin 80 më lart). Teksti i vendimit për pushimin e çështjes, u depozitua në Sekretari njëzet e tri ditë më vonë, më 5 maj 2003 (shih paragrafin 82 më lart). Në këto rrethana, nuk mund të thuhet se hetimet patën vonesa të tepërta apo humbje kohe.
326. Në dritën e sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të elementit procedural të nenit 2 të Konventës.
III. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIN 3 TË KONVENTËS
327. Kërkuesit pretenduan se mungesa e ndihmës së menjëhershme, pasi Carlo Giuliani kishte rënë në tokë dhe xhipi kishte kaluar mbi trupin e tij kishte çuar në vdekjen e tij dhe përbënte trajtim çnjerëzor. Ata iu referuan paragrafëve 5 dhe 8 të Parimeve të OKB-së (shih paragrafin 154 më lart) dhe u mbështetën në nenin 3 të Konventës, e cila parashikon:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
328. Qeveria pohoi se ky pretendim ishte haptazi i pabazuar, pasi raporti i autopsisë kishte pohuar se kalimi i xhipit mbi trupin e Carlo Giuliani nuk i kishte shkaktuar pasoja të rënda, dhe gjithashtu ishin bërë përpjekjet të menjëhershme për dhënien e ndihmës viktimës.
329. Dhoma, vërejti se veprimet e forcave të zbatimi të ligjit nuk tregonin se këta të fundit kishin pasur për qëllim t’i shkaktonin dhimbje ose vuajtje Carlo Giuliani, prandaj, vendosi se, nuk ishte e nevojshme për të shqyrtuar çështjen në bazë të nenit 3 të Konventës (shih paragrafët 260 261 të vendimit të Dhomës).
330. Gjykata vëren se faktet e kundërshtuara binin në fushëveprimin e nenit 2 të Konventës. Prandaj, ajo nuk e sheh të arsyeshme për të mbajtur qëndrim të ndryshëm nga qëndrimi i mbajtur nga Dhoma.
IV. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 6 DHE 13 TË KONVENTËS
331. Kërkuesit pretenduan se nuk kishin pasur mundësinë e zhvillimit të hetimeve në përputhje me kërkesat procedurale që dalin nga nenet 6 dhe 13 të Konventës.
Pjesët përkatëse të nenin 6 § 1, parashikojnë:
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile (...)”
Neni 13 i Konventës parashikon:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare..”
332. Kërkuesit parashtruan se, në funksion të përfundimeve jo konsistente dhe të plota të hetimit, rasti kishte kërkuar ekzaminim më të hollësishëm brenda një kornize të procedurave me palë kundërshtare.
333. Qeveria i bëri thirrje Gjykatës për të deklaruar se nuk mund të ngriheshin çështje të veçanta sipas neneve 6 dhe 13 të Konventës ose, përndryshe, se nuk kishte pasur shkelje të këtyre dispozitave, duke pasur parasysh mënyrën në të cilën hetimi ishte zhvilluar dhe faktin që kërkuesit kishin marrë pjesë në të.
334. Dhoma vlerësoi se, në funksion të konstatimit nga ana e saj të një shkelje të elementit procedural të nenit 2 të Konventës, nuk ishte e nevojshme për të shqyrtuar rastin sipas nenit 13 ose nenit 6 § 1 (shih paragrafët 265 266 e vendimit të Dhomës).
335. Duke pasur parasysh se në rastin konkret kërkuesit nuk kishin pasur mundësi sipas së drejtës italiane, për t’u bashkuar në procesin penal kundër M.P. si palë civile (shih, në ndryshim mutatis mutandis, Perez, cituar më lart, §§ 73-75), Gjykata vlerëson se pretendimi i tyre nuk duhet të shqyrtohet në bazë të nenit 6 § 1 të Konventës, por në dritën e një detyrimi shumë të përgjithshëm të Shteteve Kontraktuese sipas nenit 13 të Konventës, për të siguruar një mjet efektiv në lidhje me shkeljet e Konventës, duke përfshirë edhe të nenit 2 (shih, mutatis mutandis¸ Aksoy kundër Turqisë, 18 dhjetor 1996, §§ 93-94, Raportet 1996-VI).
336. Gjykata rithekson se "efektiviteti" i një "zgjidhjeje" brenda kuptimit të nenit 13 nuk varet nga siguria e një rezultati të favorshëm për kërkuesin. As "organi" i përmendur në atë dispozitë domosdoshmërisht i referohet autoritetit gjyqësor, por garancitë dhe të drejtat që ofron përcaktojnë nëse ajo është efektive. Gjithashtu, edhe në qoftë se një zgjidhje e vetme nuk kënaq plotësisht kërkesat e nenit 13, tërësia e mjeteve korrigjuese të parashikuara sipas së drejtës së brendshme mund ta bëjnë këtë (shih Abramiuc kundër Rumanisë, nr. 37411/02, § 119, 24 shkurt 2009 ).
337. Në rastin konkret Gjykata verën se në çështjen e Carlo Giuliani ishte zhvilluar një hetim efektiv që plotësonte kërkesat e shpejtësisë dhe paanshmërisë sipas nenit 2 të Konventës (shih paragrafët 307-326 më sipër). Ai hetim ishte në gjendje të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës. Është e vërtetë se kërkuesit nuk kishin të drejtë për t’u bashkuar në procesin penal si palë civile, megjithatë, ata kishin ushtruar të drejtat e tyre si palë e dëmtuar sipas së drejtës italiane. Në çdo rast, mungesa e statusit si palë civile rezultoi nga fakti se gjyqtari penal kishte vendosur se nuk kishte vepër penale të dënueshme sipas së drejtës penale në këtë rast. Së fundi, nuk kishte asgjë për të parandaluar kërkuesit të ngrinin një padi civile për kompensim para ose paralelisht me procesin penale.
338. Në këto rrethana, Gjykata vlerëson se kërkuesit kishin në dispozicion të tyre mjete juridike efektive, në lidhje me pretendimin e tyre në bazë të nenit 2 të Konventës.
339. Për pasojë nuk ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës.
V. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 38 TË KONVENTËS
340. Kërkuesit pretenduan se Qeveria nuk kishte bashkëpunuar mjaftueshëm me Gjykatën. Ata u bazuan në nenin 38 të Konventës, i cili parashikon:
“Gjykata e shqyrton çështjen së bashku me përfaqësuesit e palëve dhe, nëse është e nevojshme, ndërmerr një hetim, për kryerjen e efektshme të të cilit Palët e Larta Kontraktuese të interesuara ofrojnë të gjitha lehtësitë e nevojshme.”
341. Në parashtrimet e kërkuesve, Qeveria kishte dhënë përgjigje false ose jo të plota (për shembull, në lidhje me përvojën profesionale të karabinierëve në xhip dhe praninë e një mburoje në automjet). Ata kishin lënë jashtë edhe detajet e disa rrethanave thelbësore. Në veçanti, ata kishin dështuar të:
– jepnin detajet e strukturës komanduese të policisë dhe karabinierëve deri në krye të strukturës;
– specifikonin kriteret për përzgjedhjen e oficereve që do të përfshiheshin në operacionet e rendit publik;
– paraqisnin dokumente që vërtetonin përvojën profesionale të karabinierëve në fjalë (fogli matricolari);
– paraqisnin urdhrat që oficeri i policisë Lauro dhe oficerët në krye të togës kishin marrë nga eprorët e tyre;
– tregonin identitetin e personit i cili kishte urdhëruar sulmin mbi marshin e Tute Bianche;
– paraqisnin transkriptimet e bisedave në radio marrëset përkatëse.
342. Qeveria vërejti se e drejta e tyre për të mbrojtur çështjen e tyre ishte "e shenjtë" dhe se, në çdo rast, ata kishin vënë në dispozicion të Gjykatës të gjitha informatat përkatëse. Për sa i përket informacionit në lidhje me sulmin mbi marshin e Tute Bianche, ata parashtruan se kjo nuk kishte lidhje me ngjarjet në qendër të kërkesës aktuale.
343. Dhoma ishte e mendimit se nuk kishte pasur shkelje të nenit 38 të Konventës, sepse, edhe pse informacioni i dhënë nga Qeveria nuk trajtonte të gjitha pikat e renditura më sipër, natyra jo e plotë e këtij informacioni nuk e kishte penguar Gjykatën nga shqyrtimin i çështjes (shih paragrafët 269-271 të vendimit të Dhomës).
344. Gjykata nuk sheh ndonjë arsye për t’u larguar nga qëndrimi i mbajtur nga Dhoma në këtë pikë. Prandaj arrin në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 38 të Konventës, në këtë rast.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos se, nuk ka pasur shkelje të elementin material të nenit 2 të Konventës, përsa i përket përdorimit të forcës vdekjeprurëse, me trembëdhjetë vota pro dhe katër kundër;
2. Vendos se, nuk ka pasur shkelje të elementin material të nenit 2 të Konventës, përsa i përket kuadrit ligjor të brendshëm që rregullon përdorimin e forcës vdekjeprurëse dhe armët e vena në dispozicion të forcave të zbatimit të ligjit gjate samitit të G8 në Gjenovë, me dhjetë vota pro dhe shtatë kundër;
3. Vendos se, nuk ka pasur shkelje të elementit material të nenit 2 të Konventës, përsa i përket organizimit dhe planifikimit të operacioneve policore gjate samitit të G8 në Gjenovë, me dhjetë vota pro dhe shtatë kundër;
4. Vendos se, nuk ka pasur shkelje të elementin procedural të nenit 2 të Konventës me dhjetë vota pro dhe shtatë kundër;
5. Vendos njëzëri se, se nuk është i nevojshëm shqyrtimi i pretendimit për shkelje të neneve 3 dhe 6 të Konventës;
6. Vendos se, nuk ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës me trembëdhjetë vota pro dhe katër kundër;
7. Vendos njëzëri se, nuk ka pasur shkelje të nenit 38 të Konventës.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe franceze dhe njoftuar në seancën publike gjyqësore më 24 mars 2011 në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg.
Vincent BergerJean-Paul Costa
JuriskonsultPresident
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1] Disa ekstrakte nga vendimi i gjyqtarit hetues janë cituar në mënyre të zgjedhura në paragrafët 94‑116 të vendimit të Dhomës.
Full & Egal Universal Law Academy