© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ mbi jurisprudencën e Gjykatës No 167
Tetor 2013
Gutsanovi kundër Bullgarisë - 34529/10
Vendim[1] 15.10.2013 [Seksioni IV]
Neni 3
Trajtimi degradues
Karakteri i tepruar i një operacioni policor të kryer në shtëpinë e një politikani në prani të bshkëshortes dhe të fëmijëve të tij të vegjël me qëllim arrestimin e tij : shkelje
Neni 5
Neni 5-3
Menjëherë pas paraqitjes para një gjyqtari apo një magjistrati tjetër
Kohëzgjatja e një ndalimi (3 ditë, 5 orë dhe 30 minuta) : shkelje
Përshkrimi i faktit – Kërkuesit janë Z. Gutsanov, një politikan i njohur në nivelin lokal, e shoqja dhe dy vajzat e tij të vogla. Autoritetet dyshonin se Z. Gustanov kishte kryer veprime korruptive. Ato urdhëruan arrestimin e tij dhe kontrollin në banesë. Në 1 mars 2010, në 60:30 të mëngjesit, një ekip special i përbërë nga shumë policë të armatosur dhe të maskuar shkuan në shtëpinë e kërkuesit. Meqë Z. Gutsanov nuk u është përgjigjur urdhrave për të hapur derën, policët kanë thyer derën e hyrjes së shtëpisë dhe janë futur në ambientet e saj. Bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël flinin në çastin kur policët hynë dhunshëm dhe i zgjuan nga gjumi. Kërkuesin e çuan në një dhomë të veçantë. Shtëpia u kontrollua dhe një numër i caktuar dokumentesh u morën me vete në fund të operacionit. Kur Z.Gutsanov la shtëpinë i shoqëruar nga policët aty rreth orës 13 :00, gazetarët dhe ekipet e televizionit gjendeshin para shtëpisë. Një konferencë shtypi u organizua. Një e përditshme rajonale publikoi të nesërmen komentet e prokurorit si dhe pjesë nga biseda me ministrin e brendshëm lidhur me këtë çështje. Në të njëjtën ditë, prokurori akuzoi kërkuesin për shumë vepra penale- veçanërisht për pjesëmarrje, në cilësinë e funksionarit, në një grup kriminal aktiviteti i të cilit përfshinte hartimin e kontratave në dëm të bashkisë dhe shpërdorim detyre- dhe urdhëroi paraburgimin e tij për shtatëdhjetë e dy orë me qëllim që të sigurohej dalja e tij para gjykatës. Në 3 prill 2010, Z. Gutsanov doli para gjykatës dhe në fund të seancës gjyqësore, u vu në paraburgim. Në 25 maj 2010, gjykata e apelit vendosi arrest shtëpie. Në 26 korrik 2010, gjykata e liroi me garanci pasurore . Në prill 2013, procedura penale kundër tij kishte mbetur në stadin e hetimit paraprak.
Përshkrimi i të drejtës– Neni 3 : Operacioni i policisë synonte një arrestim, një kontroll banese dhe një sekuestrim dhe i përgjigjej interesit të përgjithshëm për hetim të shkeljeve penale. Edhe pse të katër anëtarët e familjes nuk janë lënduar fizikisht, gjatë ndërhyrjes policore, kjo e fundit ka kërkuar një farë përdorimi të forcës fizike : dera e hyrjes së shtëpisë u hap me forcë nga një ekip i ndërhyrjes së forcave speciale, kërkuesi u ndalua nga policë me maska dhe të armatosur, dhe u çua me forcë në katin e poshtëm të shtëpisë dhe iu vunë prangat. Z. Gutsanov ishte një politikan i njohur që ushtronte detyrën e kryetarit të këshillit bashkiak të Varnës. Nuk ekzistonte asnjë element që të lejonte të arrihej në përfundimin se ai kishte pasur precedentë dhune dhe se mund të përbënte rrezik për policët. Prania e armës në shtëpinë e kërkuesve nuk mund të mjaftonte për të justifikuar përdorimin e një ekipi të ndërhyrjes speciale as përdorimin e forcës ashtu siç është përdorur. Prania eventuale e anëtarëve të familjes së një të dyshuari në vendin e arrestimit është një rrethanë që duhet të merret parasysh në planifikimin dhe ekzekutimin e një operacioni të tillë. Mungesa e kontrollit gjyqësor paraprak mbi domosdoshmërinë dhe ligjshmërinë e kontrollit të banesës ka lënë plotësisht në dorën e autoriteteve policore dhe të organeve të hetimit penal planifikimin e operacionit dhe nuk ka lejuar të merren parasysh të drejtat dhe interesat legjitime të Znj. Gutsanova dhe të dy vajzave të saj të mitura. Forcat e rendit nuk kanë menduar mënyra të tjera për operacionin e tyre në shtëpi si, për shembull, ta shtynin për më vonë ndërhyrjen, ose të kryenin manovrime me tipa të ndryshëm policësh të përfshirë në këtë operacion. Marrja parasysh e interesave legjitime të tri kërkueseve ishte e domosdoshme aq më tepër që Znj. Gutsanova nuk ishte e dyshuar për përfshirje në vepra penale për të cilat akuzohej i shoqi dhe se dy vajzat e saj ishin vulnerabël nga pikëpamja psikologjike për shkak të moshës së vogël- respektivisht pesë dhe shtatë vjeç. Për rrjedhojë, Znj. Gutsanova dhe vajzat e saj janë tronditur shumë nga këto ngjarje.
Ora e hershme e mëngjesit e ndërhyrjes policore dhe pjesëmarrja e policëve të forcave speciale me maska kanë kontribuar për të shtuar ndjenjat e frikës dhe të ankthit te tri kërkueset në atë pikë sa trajtimi që u është bërë e ka kapërcyer pragun e gravitetit të kërkuar për zbatimin e nenit 3. Pra, ato i janë nënshtruar një trajtim degradues. Operacioni policor është planifikuar pa marrë parasysh shumë rrethana të tilla si natyra e veprave penale për të cilat akuzohej kërkuesi, mungesa e precedentëve të dhunës nga ana e tij, prania eventuale e vajzave të tij dhe bashkëshortes në shtëpi. Të gjithë këta elementë tregojnë qartas karakterin e tepërt të mjeteve të përdorura për të kapur Z. Gutsanov në shtëpi. Mënyra se si u zhvillua arrestimi ka shkaktuar ndjenja të forta frike, ankthi dhe pafuqie tek kërkuesi, të tilla që mund ta poshtëronin atë vetë dhe në sytë familjarëve të tij. Pra, për rrjedhojë, edhe ky i është nënshtruar gjithashtu një trajtimi degradues.
Përfundimi : shkelje (unanimisht).
Neni 5 § 3
a) Paraqitja para gjyqtarit – Z. Gutsanov është arrestuar në 31 mars 2010 në orën 6 :30 dhe është paraqitur para gjyqtarit pas tri ditësh, pesë orësh dhe tridhjetë minutash. Ai ishte i dyshuar në kuadrin e një çështjeje për përvetësim fondesh dhe shpërdorim detyre, nuk bëhej fjalë për dyshim për pjesëmarrje në një aktivitet kriminal të dhunshëm. Z. Gustanov i është nënshtruar një trajtimi degradues gjatë operacionit policor që ka përfunduar me arrestimin e tij. Pas këtyre ngjarjeve, dhe pavarësisht moshës së tij të pjekur dhe faktit se ai gëzonte asistencën e një avokati qysh në fillim të ndalimit, kërkuesi ishte i tronditur psikologjikisht gjatë ditëve të para pas arrestimit. Përveç kësaj, fama e tij si politikan dhe interesi që mediat i kushtuan arrestimit të tij sigurisht kontribuan në shtimin e presionit psikologjik që ka pësuar gjatë periudhës fillestare të paraburgosjes. Gjatë ditës së parë të parburgosjes, Z. Gutsanov ka kaluar nga shumë masa hetimore. Por prokuroria e rrethit ka kërkuar vendosjen e kërkuesit në paraburgim vetëm ditën e fundit nga katër ditët e burgimit të dhënë nga legjislacioni i brendshëm pa miratimin e një gjykatësi, ndërkohë që i interesuari nuk kishte marrë pjesë në asnjë procedurë hetimore qysh prej dy ditësh. Ai ishte i burgosur në të njëjtin qytet ku gjendej gjykata kompetente që do të shprehej për vendosjen e tij në paraburgim dhe nuk ishte marrë asnjë masë sigurie e veçantë ndaj tij. Si përfundim, duke marrë parasysh gjendjen jo të mirë psikologjike të kërkuesit gjatë ditëve të para pas arrestimit të tij dhe mungesën e çdo rrethane që mund të justifikonte vendimin për të mos dalë në gjyq në ditën e dytë dhe të tretë të paraburgimit, shteti nuk ka përmbushur detyrimin për të nxjerrë « menjëherë » kërkuesin para një gjyqtari të aftë për të kontrolluar ligjshmërinë e paraburgimit të tij.
Përfundimi : shkelje (gjashtë vota pro një kundër)
b) Kohëzgjatja e paraburgimit – Z. Gutsanov është privuar nga liria për katër muaj dy prej të cilave janë me arrest shtëpie. Që në kërkesat e para për lirim, gjykatat e brendshme kanë çmuar se ai nuk paraqiste asnjë rrezik për arratisje. Megjithatë ato e kanë mbajtur në paraburgim duke menduar se mund të kryente shkelje të reja, veçanërisht ndonjë falsifikim të provave. Gjykata e apelit ka çmuar, në vendimin[2] e 25 majit, se ky rrezik ishte zhdukur meqë ai kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të këshillit bashkiak. Z. Gutsanov është vënë në arrest shtëpie dhe gjykata e apelit nuk ka parashtruar ndonjë arsye të veçantë për të justifikuar këtë masë që është zbatuar në dy muajt në vijim. Kështu, autoritetet nuk e kanë përmbushur detyrimin e tyre për të justifikuar mbajtjen në paraburgim pas 25 majit 2010.
Përfundimi : shkelje (unanimisht).
Neni 5 § 5 : Padia për dëme dhe interesa e parashikuar nga ligji mbi përgjegjësinë e shtetit nuk mund të konsiderohet si një rrugë e brendshme efektive. Nuk ekziston asnjë dispozitë në të drejtën e brendshme që të mundësojë marrjen e dëmshpërblimit për dëm të shkaktuar për shkak të kohëzgjatjes së tepërt të paraburgimit dhe daljes së vonuar në gjyq.
Përfundimi : shkelje (unanimisht).
Neni 6 § 2 : Komentet e ministrit të brendshëm të formuluara të nesërmen e arrestimit të kërkuesit dhe të publikuara nga një gazetë në një çast kur publiku shfaqte një interes të madh për çështjen, shkonin përtej transmetimit të thjeshtë të informacionit. Ato komente mund të krijonin në publik përshtypjen se Z. Gutsanov ishte pjesë e « trurit » të një grupi kriminal që kishte përvetësuar fonde publike të mëdha. Pra, ato kanë cenuar prezumimin e pafajësisë së kërkuesit. Për sa i përket arsyes së mbajtjes në paraburgim, gjyqtari ka përdorur frazën e mëposhtme sipas të cilës gjykata « është gjithmonë e mendimit se ka pasur një vepër penale dhe se i pandehuri është i përfshirë në të”. Kjo frazë konsiderohet si një deklaratë fajësie që paraprin çdo vendim mbi themelin dhe cënon gjithashtu prezumimin e pafajësisë së kërkuesit.
Përfundimi : shkelje (unanimisht).
Neni 8 : Kontrolli në banesë është kryer pa autorizim paraprak nga gjyqtari. Proces-verbali i mbajtur në përfundim të kontrollit i është paraqitur një gjyqtari të gjykatës që e ka miratuar zyrtarisht por pa parashtruar arsyet e miratimit të tij. Gjykata nuk mendon se ky element është i mjaftueshëm për të treguar se gjyqtari e ka kontrolluar me efikasitet ligjshmërinë dhe domosdoshmërinë e masës së kontrollit të banesës. Kontrolli efektiv bëhej dhe më i domosdoshëm sepse në asnjë moment tjetër para këtij kontrolli nuk është përcaktuar se cilat ishin konkretisht dokumentet dhe objektet e lidhura me hetimin penal që hetuesit prisnin të zbulonin dhe të sekuestronin në banesën e kërkuesit. Shtrirja e përgjithshme e kontrollit në fjalë u konfirmua nga numri i madh dhe larmia e objekteve dhe dokumenteve të sekuestruara dhe nga mungesa e çdo lidhjeje të dukshme midis disa prej këtyre objekteve dhe veprave penale mbi të cilat po bëhej hetimi. Nga ana tjetër, hetimi penal ishte hapur pesë muaj më parë. Hetuesit, pra, mund të kishin kërkuar lëshimin e një mandati gjyqësor para se të kryenin kontrollin në banesë. Në mungesë të autorizimit paraprak të një gjyqtari dhe të kontrollit prapaveprues të masës së kontestuar, procedura nuk ishte e garantuar sa duhej për të parandaluar rrezikun për shpërdorim detyre nga ana e autoriteteve të hetimit penal. Kërkuesit në fakt janë privuar nga mbrojtja e nevojshme kundër arbitraritetit. Ndërhyrja në të drejtën e tyre për respektim të banesës nuk është « parashikuar nga ligji ».
Përfundim: shkelje (unanimisht).
Neni 13 i kombinuar me nenet 3 dhe 8 : As ankimi penal, as padia për dëm dhe interesa kundër shtetit nuk do të kishin përbërë rrugë të brendshme të mjaftueshme. Të shkaktosh vuajtje psikologjike, sipas të drejtës së brendshme, nuk konsiderohet si shkelje penale, çka e rrëzon menjëherë një ankesë penale të mundshme nga ana e kërkuesve. Këta të fundit nuk kishin asnjë rrugë të brendshme ankimi që do t’u kishte mundësuar të mbronin të drejtën e tyre për të mos iu nënshtruar trajtimeve çnjerëzore dhe degraduese si dhe të drejtën e tyre për respektimin e banesës.
Përfundim : shkelje (unanimisht).
Neni 41 : 40 000 EUR së bashku edhe për dëmin moral
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1] Mbi pranueshmërinë dhe themelin
[2] Vendim për pranueshmëri
Full & Egal Universal Law Academy