© Këshilli i Evropës/Gjykata e të drejtave të njeriut, 2014. Ky përkthim është kryer me mbështetjen e Fondit të besimit për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk krijon detyrim për Gjykatën. Për më shumë informacion, të shihen treguesit e copyright/të drejtat e autorit në fund të këtij dokumenti
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA GUTSANOVI kundër BULLGARISË
(Kërkesë no 34529/10)
VENDIM
STRASBURG
[Ekstrat]
15 tetor 2013
PËRFUNDIMTAR
15/01/2014
Ky vendim është bërë përfundimtar sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund të pësojë përmirësime vetëm në formë.
Në cështjen Gutsanovi kundër Bullgarisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i katërt), që mblidhet në një dhomë të përbërë nga :
Ineta Ziemele, kryetare,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Ledi Bianku,
Zdravka Kalaydjieva,
Krzysztof Wojtyczek,
Faris Vehabović, gjykatës,
et de Françoise Elens-Passos, sekretar i seksionit,
Pasi ka diskutuar në një dhomë të këshillit në 24 shtator 201,
Jep këtë vendim, të marrë në këtë datë:
PROCEDURA
1. Çështja nis me një kërkesë (no 34529/10) drejtuar kundër Republikës së Bullgarisë nga katër shtetas të këtij shteti, Z.Borislav Gutsanov Gutsanov, Znj. Monika Vladimirova Gutsanova dhe zonjushat S. et B. Gutsanovi (« kërkuesit »), që i janë drejtuar Gjykatës më 21 maj 2010 sipas nenit 34 të Konventës së Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe të drejtave themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesit janë përfaqësuar nga avokatja S. Bachvarova-Zhelyazkova, avokate në Varna, dhe nga M. Ekimdzhiev, avokat në Plovdiv që ushtron profesionin në studion « Ekimdzhiev, Boncheva dhe Chernicherska ». Qeveria bullgare (« Qeveria ») përfaqësohet nga agjenti i saj, Znj. N. Nikolova, që më pas është zëvendësuar nga Znj. M. Kotseva dhe Z. V. Obretenov, i ministrisë së Drejtësisë.
3. Kërkuesit pretendojnë veçanërisht se ndërhyrja e forcave të rendit në banesën e tyre, në 31 mars 2010 herët në mëngjes, u kishte shkaktuar një traumë psikologjike që përmblidhet në një trajtim degradues (...)
4. Në 4 prill 2011, kërkesa i është bërë e ditur Qeverisë. Siç e autorizon neni 29 § 1 i Konventës, është vendosur gjithashtu që dhoma të shprehet për pranueshmërinë dhe themelin e çështjes.
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E RASTIT
5. Kërkuesit kanë lindur respektivisht në 1967, 1972, 2002 dhe 2004 dhe banojnë në Varna. Dy të parët janë bashkëshortë. Kërkuesi i tretë dhe i katërt janë vajzat e vogla të çiftit.
A. Konteksti i përgjithshëm i cështjes
6. Kërkuesi i parë, Z Borislav Gutsanov, është deputet në Kuvendin Popullor në listën e Partisë socialiste, anëtar i byrosë qendrore ekzekutive të Partisë socialiste dhe zëvendëskryetar i seksionit rajonal të kësaj partie. Në kohën e ngjarjes, ai ishte kryetar i këshillit bashkiak të Varnës, i zgjedhur nga lista e partisë së tij.
7. Nga dhjetori 2009 deri në prill 2010, ministri i brendshëm bullgar kreu në territorin e vendit shumë operacione policore që synonin shkatërrimin e grupeve të ndryshme kriminale. Gjatë këtyre operacioneve policia ndërmori arrestimin e shumë individëve, përfshi këtu burra dhe gra të sferës politike, çka u pasqyrua gjerësisht nga medie dhe ngjalli një interes të publiku të gjerë. Shumë politikanë, përfshi këtu edhe kryeministrin dhe ministrin e brendshëm, si dhe prokurorë dhe komisarë të ndryshëm policie janë kontaktuar rregullisht për këto arrestime dhe ndjekjen e tyre penale që vijoi si pasojë.
8. Gjykatës iu paraqitën një varg kërkesash që ndoqën këto ngjarje (no 26966/10, Maslarova kundër Bullgarisë; no 30336/10, Aleksey Petrov (II) kundër Bullgarisë; no 37124/10, Kostadinov kundër Bullgariisë ; no 44885/10, Tsonev kundër Bullgarisë ; no 45773/10, Petrov dhe Ivanova kundër Bullgarisë ; no 55388/10, Stoyanov dhe të tjerë kundër Bullgarisë).
B. Ndërhyrja e policisë në banesat e kërkuesve
9. Në 30 tetor 2009, prokuroria e qytetit të Sofias nisi ndjekjet penale kundër X për shpërdorim detyre dhe përvetësim të fondeve publike që kishin sjellë si pasojë dëm të madh për shoqërinë e transportit publik të bashkësisë në Varna. Faktet në fjalë kanë ndodhur nga viti 2003 deri në vitin 2007. Në 8 shkurt 2010, prokurori i përgjithshëm urdhëroi transferimin e dosjes e këtij hetimit penal në prokurorinë e rrethit të Varnës. Hetimi duhej të bëhej nga policia e Varnës nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e prokurorisë së rrethit të të njëjtit qytet.
10. Në kuadrin e këtij hetimi penal, në 31 mars 2010, rreth orës 6 :30, një ekip me policë hyri në shtëpinë e kërkuesve dhe bëri arrestimin e Z. Gutsanov si dhe kontrolloi ambientet e shtëpisë. Faktet që shoqëruan këtë operacion të policisë janë kontestuar nga palët.
1. Versioni i kërkuesve
11. Në 31 mars 2010 herët në mëngjes, Z.dhe Znj. Gutsanovi flinin në dhomën e tyre në katin e dytë në dhomat e tyre respektive në shtëpinë e tyre në Varnë. Dy vajzat e tyre flinin në dhomat e tyre një kat më poshtë. Shtëpia ishte e pajisur me një sistem sigurie CCTV (me kamera vëzhgimi), dhe një roje nate, të quajtur D.P., që qëndronte në hyrje të pronës.
12. Rreth orës 6 :30 D.P. kishte vënë re në ekranin e videos së mbikëqyrjes dy apo tre mjete të policisë që kishin kaluar në heshtje, me drita të fikura, para derës së kopshtit dhe ishin ndalur pak më larg.
13. Pak më pas, një grup policësh u shfaq para hyrjes së pronës dhe policët filluan të godasin me forcë në derë dhe kërkuan të hapej ajo menjëherë. D.P. ka zbritur nga vendroja e tij dhe ka hapur derën. Atëherë ai vuri re dy policë të veshur civilë, katër apo pesë policë të tjerë me uniformë dhe një grup prej katër apo pesë policë me maska të komandos speciale të Ministrisë së Brendshme. D.P. e ndaluan dhe e prangosën policët dhe e pyetën nëse të zotët e shtëpisë ishin aty. Ai ishte përgjigjur pozitivisht dhe u kishte theksuar policëve se kishte edhe dy fëmijë në shtëpi. I kërkuan të hapte derën e shtëpisë, por ai u kishte shpjeguar se nuk i kishte çelësat. .
14. Grupi i policëve ishte sulur drejt portës së shtëpisë duke thirrur « Policia ! Hapeni ! ». Disa nga policët nisën të hapnin derën me anë të veglave të ndryshme për thyerje (tokmak, levë, qysqi). Sipas dëshmisë së D.P., policët arritën ta hapnin derën pas nja pesë apo dhjetë minutash dhe hynë nën shkallët e shtëpisë.
15. Z dhe Znj. Gutsanovi pohojnë se ata u zgjuan brutalisht nga gjumi nga zhurma e goditjeve në derë dhe nga klithmat. Ata kishin nxituar në katin e poshtëm që të merrnin vajzat në dhomën e tyre të gjumit në katin e dytë të shtëpisë.
16. Z. Gutsanov pohoi se më pas doli nga dhoma me qëllim që të shihte dhe të kuptonte se çfarë po ndodhte realisht. Në atë kohë, ai kishte dëgjuar zhurmën e shumë njerëzve që ngjisnin shkallët duke bërtitur « Dilini t’ju shohim » dhe « Jemi policë ». Ai u kthye menjëherë në dhomën ku gjendeshin vajzat dhe e shoqja. Pak më vonë, policët e maskuar hynë në dhomën e gjumit të prindërve dhe drejtuan armët të pajisura edhe me drita mbi Z.Gutsanov, të shoqen dhe të dy vajzat duke thirrur « Policia ! » Mos lëvizni ! » Z. Gutsanov ishte ngjeshur pas murit, pastaj e kishin marrë në katin e poshtëm, e kishin ulur në gjunjë dhe e kishin prangosur.
17. Sipas deklarimeve të Z. dhe Znj. Gutsanov, dy vajzave e tyre, që gjendeshin mbi shtratin e prindërve bërtisnin dhe qanin nga frika. Policët e kishin urdhëruar Znj. Gutsanova t’ua fshihte kokën poshtë jorganit dhe ajo ashtu kishte bërë.
18. Pak më pas, Z. Gutsanov e lanë të ngjitej në katin e dytë dhe të vishej.
19. Në orën 7:30, shoferi i familjes dhe dadoja e fëmijëve mbërritën aty dhe i morën të dyja vajzat që t’i çonin në shkollë. Pas shkollës S dhe B qëndruan te halla e tyre ku kaluan edhe natën.
20. Në mbështetje të versionit të tyre të fakteve, kërkuesit kanë paraqitur një deklaratë dorëshkrim pa datë, nga Z. Gutsanov, një deklaratë të nënshkruar nga Znj. Gutsanova, që mban datën 7 prill 2010, një deklaratë të shkruar me dorë që mban datën 8 prill 2010 dhe e nënshkruar nga shoferi privat i familjes. Ata kanë paraqitur gjithashtu një buletin të shërbimit meteorologjik të Varnës që vërteton se, atë ditë, dielli ka lindur në orën 6 :52 dhe se janë dashur 31 minuta që të bëhej ditë. Ata kanë bërë gjithashtu një kopje të intervistës së dhënë nga Znj. Gutsanova në të përjavshmen « Galeria » të publikuar në 8 prill 2010.
21. Kërkuesit kanë paraqitur gjithashtu regjistrimin e videos në emisionin televiziv « Afera », të transmetuar në 11 prill 2010 në kanalin televiziv privat « Skat ». Në këtë emision ishte dhënë gjithashtu një intervistë me Znj. Gutsanov a, si dhe disa sekuenca video të filmuara nga kamerat e sigurisë të pronës së kërkuesve në mëngjesin e 31 marsit 2010. Sekuenca e parë tregon kalimin e dy mjeteve të lehta dhe të një furgoni policie para pronës së kërkuesve. Në sekuencën e dytë, shihet një polic me uniformë që godet portën e jashtme metalike të shtëpisë dhe porta që hapet. Sekuenca e tretë tregon dy policë të forcave speciale, të veshur me të zezë dhe të armatosur me automatikë të pajisur me llamba, që inspektojnë një pjesë të kopshtit, si dhe një burrë i veshur civil që shfaqet te dera. Ky i fundit hyn brenda i ndjekur nga dy policë të forcave speciale. Sekuenca e katërt tregon dy policë të forcave speciale që nxitojnë drejt shtëpisë, duke lënë pas tyre një polic me uniformë dhe një burrë të veshur civil. Dy burrat e fundit duket sikur kanë ngritur kokën lart drejt shtëpisë. Një sekuencë tjetër, e filmuar nga një kamera e reportazhit, tregon derën me xham të shtëpisë pas hapjes me forcë nga policët : xhamat janë të paprekur, doreza, brava nuk janë shqyer.
2. Versioni i Qeverisë
22. Në 30 mars 2010, shefi rajonal i shërbimit të luftës kundër krimit të organizuar të Varnës dhe prokuroria e rrethit të këtij qyteti kanë miratuar një plan ndërhyrjeje në kuadrin e procedimit penal kundër X për sa i përket përvetësimit të fondeve publike që i përkisnin shoqërisë së transportit publik të bashkisë së Varnës (shih paragrafin 9 më sipër). Plani kishte parashikuar arrestimin e pesë personave të dyshuar se kishin bërë këto akte, ndër të cilët Z. Gutsanov, si dhe kontrollin e banesave dhe zyrave të të dyshuarve. Ndërhyrjet ishin parashikuar për të nesërmen në mëngjes, d.m.th. për 31 mars 2010, dhe duhej të kryhej njëkohësisht nga pesë ekipe të përbërë nga policë hetues (civilë), policë me uniformë dhe policë të armatosur dhe të maskuar.
23. Ekipi që duhej të ndërhynte në banesën e kërkuesve kishte marrë udhëzime nga eprorët e tij në orën 5 :30, pikërisht ditën e operacionit të policisë. Policët ishin lajmëruar se Z. Gutsanov mbante në mënyrë të ligjshme një pistoletë të markës Glock, model 17 C, dhe që e mbante armën në shtëpi.
24. Në orën 6 :30, në 31 mars 2010, ekipi i ndërhyrjes, i përbërë nga policë civilë, dy policë me uniformë dhe katër policë të forcave speciale, të veshur me të zeza dhe me jelek anti-plumb me mbishkrimin « polic », ka shkuar në banesën e kërkuesve. Policët kishin trokitur në derën metalike të pronës. Portën ua kishte hapur një roje. Ai ka shpjeguar se nuk i kishte çelësat e derës së brendshme për të hyrë në shtëpi dhe se të vetmit persona që gjendeshin aty ishin Z. Gutsanov, e shoqja dhe dy fëmijët e tyre. Pas kësaj, dy policë të forcave speciale i ranë përqark shtëpisë që të siguronin daljet e tjera të mundshme dhe dy policë të tjerë të forcave speciale kanë nxituar te dera e hyrjes së shtëpisë dhe kanë nisur të trokasin në derë dhe të thërrasin« Policia. Hapeni! » Policët me uniformë kanë qëndruar në kopsht para derës së brendshme.
25. Pas pesë minutash, policët kishin vënë re nga vetratat e shtëpisë siluetën e një burri. Policët kishin thërritur : « Policia. Zbrisni ! Hapni derën! » M. Gutsanov është shfaqur dy herë në dritare, por nuk ka zbritur. Policët e forcave speciale kanë hapur me forcë derën e hyrjes dhe kanë hyrë brenda. Një nga policët ka vënë re Z. Gutsanov në nënshkallë dhe ka thirrur në drejtim të tij : « Policia ! Afrohu ngadalë ! Trego duart ! ». Kërkuesi ka kundërshtuar të bindet dhe ka nxituar në katin sipër. Policët e kanë ndjekur pas duke bërtitur :« Policia ! Ndal! ». Kërkuesi ka kaluar nga një derë në katin e dytë dhe duke iu afruar aty, policët e kanë parë të hynte në një dhomë gjumi ku gjendeshin e shoqja dhe dy vajzat e tij. Në këtë kohë, kërkuesi ka dalë nga dhoma dhe atij i janë vënë prangat. Ai u ka kërkuar leje të vishet dhe policë të maskuar e kanë shoqëruar në dhomë.
26. Në asnjë moment të operacionit, policët nuk i kanë drejtuar fjalën Znj Gutsanova ose bijave të saj. Polici që ka hyrë në dhomën e gjumit nuk ka pasur asnjë armë zjarri por vetëm një pistoletë me goditje elektrike të markës « Taser ». Polici ka ndenjur në dhomë gjithë kohën që i është dashur Z. Gutsanov për të gjetur veshjet dhe pastaj kanë dalë së bashku nga dhoma. Kërkuesi u është dorëzuar forcave të policisë dhe policët e forcave speciale kanë ikur menjëherë prej andej.
27. Qeveria ka paraqitur në mbështetje të versionit të tyre të fakteve dokumentet e mëposhtme : plani i veprimit për operacionin në fjalë, një raport të drejtorisë rajonale të Ministrisë së Brendshme, tri raporte të punonjësve të Ministrisë së Brendshme që kanë marrë pjesë në operacion, ndër të cilët komandanti i njësisë së ndërhyrjes së specializuar, proces-verbali i kontrollit i miratuar nga një gjykatës dhe dy urdhëresat e prokurorisë së rrethit të Varnës që mbajnë datën 7 prill 2010. Qeveria ka paraqitur foto të publikuara në shtypin e shkruar nga shtëpia e kërkuesve që tregojnë vetëm se shtëpia ka një vetratë që bie nga ana e kopshtit.
C. Gjendja psikologjike e kërkuesve pas ndërhyrjes së policisë në banesë.
28. Znj. Gutsanova pohon se vajza e vogël, B., belbëzonte, atë e kishte ndjekur një specialist logopedist për një vit rresht dhe se pas ngjarjeve të 31 marsit 2010, ajo ka filluar përsëri të belbëzojë
29. Sipas deklarimit të mësueses së shkollës së S, vajzës së madhe të çiftit Gutsanov , kjo e fundit dukej sheshit që ishte e stresuar dhe e heshtur në mënyrë jo të zakonshme në 31 mars 2010. Motra e Z. Gutsanov që e priti mbesën e saj pasditen e të njëjtës ditë, vuri re se fëmija kishte ankth. Atë ditë, vajza kishte folur disa herë për atë çka kishte ndodhur në shtëpinë e tyre. Që nga ajo ditë ajo ka frikë nga policët sa herë i sheh.
30. Në 12 prill 2010, dy vajzat e Z. dhe Znj. Gutsanovi u vizituan nga një psikiatër i cili konstatoi se kujtimi i ngjarjeve të 31 mars 2010 shkaktonte te fëmijët reagime ankthi që shfaqeshin me ndjesi ankthi te vajza e madhe dhe me kriza të qarash te vajza e vogël e çiftit. Psikiatri nuk konstatoi komplikacione të tjera psikologjike te vajzat.
31. Pas ngjarjeve të 31 marsit 2010, Znj. Gutsanova u vizitua dy herë radhazi te psikiatri. Ajo ankohet, përveç të tjerash, nga pagjumësia ankthi dhe është kuruar me anksiolotikë (qetësues kundër ankthit).
(...)
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
(...)
D. Përgjegjësia e shtetit për dëmet
67. Neni 1, paragrafi 1, i ligjit mbi përgjegjësinë e shtetit dhe bashkive u mundëson individëve të marrin një kompensim për dëmin e shkaktuar, nga aktet, veprimet ose mosveprimet e paligjshme të organeve apo punonjësve të shtetit apo të pushtetit lokal në ushtrimin e funksioneve të tyre administrative. Sipas jurisprudencës së përhershme të Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Bullgarisë, aktet e organeve të hetimit penal dhe të prokurorëve të kryera në kuadrin e një procedure penale nuk kanë të bëjnë me fushën e funksionit administrativ dhe për këtë arsye përjashtohen nga fusha e zbatimit të kësaj dispozite të ligjit (Решение № 615 от 10 юли 2001 г. на ВКС по гр. д. № 1814/2000 г.; Тълкувателно решение № 3 от 22 април 2004 г. на ВКС по тълк. д. № 3/2004 г., ОСГК). Neni 2 i po këtij ligji, ashtu siç ishte formuluar kur ishte në fuqi në kohën e ngjarjeve, parashikonte se organet e hetimit, prokuroria dhe gjykatat mbanin përgjegjësi në kushtet e mëposhtme : paraburgim i paligjshëm, akuzë ose dënim i pasuar nga ndërprerja e ndjekjeve penale ose nga njohja e pafajësisë ; mbyllje për trajtim mjekësor ose masa të tjera shtrënguese të vendosura nga gjykata kur ato pasohen me shfuqizimin e këtij vendimi për paligjshmëri ; ekzekutimi i dënimit kur kalohet afati ose shuma që përcaktohet fillimisht (shih gjithashtu vendimet[1] Iliya Stefanov kundër Bullgarisë, no 65755/01, §§ 28 et 29, 22 maj 2008 ; Kandjov kundër Bullgarisë, no 68294/01, §§ 35-39, 6 nëntor 2008, et Botchev kundër Bullgarisë, no 73481/01, §§ 37-39, 13 nëntor 2008).
(...)
PËRSHKRIMI I TË DREJTËS
(...)
I. MBI SHKELJET E PERETENDUAR TË NENIT TË KONVENTËS
77. Kërkuesi pretendon se ndërhyrja e policisë në shtëpinë e tyre ka bërë që t’i nënshtrohen trajtimeve që bien ndesh me nenin 3 të Konventës i cili thotë :
« Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve e trajtimeve çnjerëzore ose degraduese. »
78. Kërkuesit ankohen veçanërisht për mënyrën se si është kryer ndërhyrja policore në fjalë, para se të lindte dielli, nga policë me maska dhe të armatosur rëndë që kanë hyrë duke thyer portën dhe i kanë drejtuar armët drejt tyre dhe kanë prangosur Z. Gutsanov duke e ulur në gjunjë, e gjithë kjo përmblidhet si trajtim degradues.
79. Në vërejtjet e shkruara të 6 janarit 2012, kërkuesit ankohen për mungesë të një hetimi penal mbi keqtrajtimet që ata pretendojnë se kanë pësuar gjatë ndërhyrjes së policisë në 31 mars 2010.
A. Mbi pranueshmërinë
1. Ankesa që ka të bëjë më ndërhyrjen policore të 31 mars 2010
a) Vërejtjet e Qeverisë
80. Qeveria mendon se kjo ankesë duhet hedhur poshtë sepse nuk janë shteruar rrugët e ankimit të brendshëm, sepse nuk është respektuar afati prej gjashtë muajsh, se kërkesa është e parakohshme dhe për mungesë të cilësimit të kërkuesve, si viktima
81. Ajo vëren, së pari, se hetimi penal i hapur kundër Z. Gutsanov nuk ka marrë ende zgjidhje dhe përfundon se ankesa e bazuar në nenin 3 është e parakohshme.
82. Sipas Qeverisë, kërkuesit nuk kanë ngritur para autoriteteve kompetente ankesën e tyre për trajtime degraduese të pretenduara. Ata nuk kanë ngritur padi për dëme dhe interesa sipas nenit 2 mbi përgjegjësinë e Shtetit. Kështu ata nuk kanë shteruar rrugët e brendshme të ankimit të cilat janë të disponueshme dhe efektive në legjislacionin e brendshëm.
83. Qeveria vëren më pas se, me një urdhëresë të 7 janarit 2010, prokuroria e rrethit të Varnës nuk ka pranuar të nisë ndjekjen penale kundër punonjësve të policisë që kanë hyrë në banesën e kërkuesve. Prokuroria ka konstatuar veçanërisht se aksioni i policisë nuk përbën asnjë shkelje penale. Qeveria pretendon gjithashtu se ky aksion nuk synonte në asnjë rast të prekte dinjitetin e kërkuesve dhe as t’u shkaktonte ndonjë dëm moral dhe, për rrjedhojë, ajo nuk mund të përmblidhet në një trajtim në mospërputhje me nenin 3 të Konventës. Kështu, kërkuesit nuk kanë se si të pretendojnë se janë viktima të dhunimit të të drejtave të tyre të garantuara nga ky nen.
b) Vërejtjet e palës kërkuese
84. Kërkuesit e pranojnë se nuk kanë ngritur padi kundër policëve që kanë hyrë në banesën e tyre në 31 mars 2010. Ata argumentojnë, gjithsesi se një veprim i tillë do të ishte haptazi i paefektshëm veçanërisht për dy arsye : Së pari, asnjë dispozitë e të drejtës penale bullgare nuk do të dënonte si vepër penale faktin se i shkakton dikujt një trajtim degradues që buron nga presionet psikologjike. Së dyti, ashtu si Gjykata e ka konstatuar në një varg çështjesh që kanë të bëjnë me ndërhyrjen e forcave speciale të policisë kombëtare, kundërshtimi sistematik i autoriteteve për të zbuluar identitetin e këtyre policëve e bën joefikas çdo hetim penal të drejtuar kundër këtyre të fundit.
85. Vendimi për të ndërprerë procedurën i dhënë nga prokurori i rrethit në këtë rast vetëm sa konfirmon mungesën e efektshmërisë së një ankese penale. Prokurori ka marrë vendim për të mos nisur ndjekjet penale kundër policëve pak pas hapjes së dosjes, vetëm mbi bazën e dy raporteve që burojnë nga policët dhe pa dëgjuar asnjë dëshmitar tjetër dhe pa mbledhur prova të tjera. Kërkuesit nuk janë informuar për këtë urdhër dhe janë privuar nga çdo mundësi për t’u lidhur me hetimin.
86. Për sa i përket një padie të mundshme për dëme dhe interesa sipas ligjit për përgjegjësinë e shtetit, kërkuesit mendojnë se në rastin e tyre, ajo nuk është e njëjtë me një ankimim të brendshëm efektiv. Sipas jurisprudencës së zakonshme të gjykatave të brendshme, neni 1 i këtij ligji, që mundëson të njihet përgjegjësia e shtetit për shkak të dëmeve të shkaktuara nga veprimi administrativ, nuk do të zbatohej për aktet e kryera nga policët për ekzekutimin e masave hetimore të marra gjatë një procedure penale, sepse këto akte do të lidheshin në këtë rast me procesin juridiksional dhe jo me ushtrimin e funksionit administrativ. Nga ana tjetër, në një vendim interpretues të detyrueshëm, i dhënë në 2005, Gjykata e lartë e kasacionit ka saktësuar se kur organet administrative, si policia, zbatojnë masat e urdhëruara nga organet e pushtetit gjyqësor, një padi për përgjegjësinë e shtetit nuk mund të ngrihet veçse kundër këtyre organeve dhe në bazë të nenit 2 të ligjit mbi përgjegjësinë e shtetit. Mirëpo, kjo dispozitë nuk do të mundësonte një zhdëmtim veçse për një numër të kufizuar rastesh dhe i vetmi që mund të zbatohej në këtë rast do të ishte shfajësimi i Z. Gutsanov , d.m.th. ndërprerja e ndjekjeve penale të drejtuara kundër tij. Megjithatë, do të ishte e vështirë që kërkuesit të provonin pretendimet e tyre meqë të gjithë dëshmitarët e këtyre ngjarjeve janë policët që kanë marrë pjesë në operacionin e 31 marsit 2010.
c) Vlerësimi i Gjykatës
87. Gjykata vëren menjëherë se Qeveria ka ngritur shumë kundërshtime për të motivuar mospranueshmërinë e ankesës të bazuar në nenin 3 të Konventës. Duke mbajtur parasysh argumentet e paraqitura nga palët, ajo mendon se çështjet që kanë të bëjnë me respektimin e afatit prej gjashtëmuajsh dhe me karakterin siç pretendohet, të parakohshëm të kërkesës lidhen ngushtë me kundërshtimin për mosshterim të ngritur nga Qeveria. Prandaj Gjykata çmon si të përshtatshme të përcaktojë së pari nëse rregulla e shterimit të rrugëve të brendshme është respektuar në këtë rast.
i. Mbi veçorinë e mosshterimit të rrugëve të brendshme
88. Gjykata kujton se rregulla e shprehur në nenin 35 § 1 të Konventës i detyron kërkuesit të përdorin së pari rrugët e brendshme të mundshme dhe të mjaftueshme në rendin juridik të brendshëm të vendit të tyre për t’u mundësuar të marrin kompensim për shkeljet që pretendojnë. Këto rrugë ankimi të brendshme duhet të ekzistojnë me një shkallë të mjaftueshme sigurie, në praktikë dhe në teori, pa të cilën ato nuk kanë efektshmërinë dhe aksesibilitetin e duhur (shih ndërmjet të tjerave Salman kundër Turqisë [GC], no 21986/93, § 81, GJEDNJ 2000‑VII, dhe İlhan kundër Turqisë [GC], no 22277/93, § 58, GJEDNJ 2000‑VII).
89. Është detyrë e Qeverisë që duke pretenduar mosshterim të rrugëve të brendshme, ta bindë Gjykatën se rruga që ajo sugjeron ishte efektive dhe e mundshme si në teori ashtu edhe në praktikë, në kohën e ngjarjeve. Pasi ka provuar këtë gjë, i takon kërkuesit të provojë se rruga e sugjeruar nga Qeveria është përdorur ose se, për një arsye të çfarëdoshme, ajo nuk ishte as adekuate as efektive po të mbahen parasysh faktet e çështjes ose fakti se disa rrethana të veçanta e lironin nga detyrimi për ta ushtruar atë (Akdivar dhe të tjerë kundër Turqisë, 16 shtator 1996, § 68, Përmbledhje e vendimeve 1996‑IV).
90. Sipas jurisprudencës së zakonshme të Gjykatës, rruga e ankimit normalisht e mundshme në të drejtën bullgare për të ndrequr trajtimet çnjerëzore dhe degraduese që ishin shkaktuar nga policët, është ankimi drejtuar organeve të ndjekjes penale (shih, ndër shumë të tjera, Assenov dhe të tjerë kundër Bullgarisë, 28 tetor 1998, § 86, Përmbledhje 1998‑VIII ; Osman dhe Osman kundër Bullgarisë (vend.), no 43233/98, 6 maj 2004, dhe Kemerov kundër. Bullgarisë (vend.), no 44041/98, 2 shtator 2004). Kërkuesit në këtë çështje nuk i janë drejtuar prokurorisë me një ankim të tillë kundër policëve që kishin hyrë në shtëpinë e tyre në mëngjesin e 31 marsit 2010. Ata pretendojnë se një ankim pranë prokurorisë nuk mund të konsiderohet si një rrugë ankimi efektive në rastin e tyre po të mbahet parasysh natyra e keqtrajtimeve që u janë bërë si dhe mangësitë në të drejtën e brendshme penale (shih paragrafin 84 më sipër).
91. Gjykata kujton se në vendimin[2] Hristovi kundër Bullgarisë, no 42697/05, § 95, 11 tetor 2011, ajo ka nënvizuar me shqetësim mënyrën sesi e drejta penale bullgare trajton faktet që shkaktojnë vuajtje psikologjike. Në veçanti, ajo ka konstatuar se, me përjashtim të rastit shumë të veçantë të kërcënimit me vdekje, kodi penal bullgar nuk i konsideron vepra penale veprimet e policëve që shkaktonin vuajtje të këtij tipi, të cilat kishin ndodhur për shembull në kuadrin e operacionit të arrestimit, të kontrollit të banesës dhe të sekuestrimi të kryera në mënyrë agresive. Kështu, përderisa nuk argumentohet se ankuesi ka pësuar një agresion fizik kur ndodhet në duart e policisë, autoritetet nuk janë të detyruara të nisin ndjekjet penale që kanë të bëjnë me aktet e denoncuara. Gjykata ka konstatuar se kjo mangësi në të drejtën e brendshme u lejon personave që kanë shkaktuar trauma psikologjike t’i shpëtojnë çdo ndjekjeje që mund të njohë përgjegjësinë e tyre penale.
92. Kërkuesit në këtë çështje ankohen ekskluzivisht për pasoja psikologjike shumë të dëmshme të operacionit policor të kryer në banesën e tyre në 31 mars 2010 në mëngjes. Ata nuk pretendojnë të jenë agresuar fizikisht nga policët. Pra, duket se nëse të interesuarit do të kishin bërë një padi penale kundër policëve në fjalë, ata do të kishin hasur patjetër në kundërshtimin e prokurorisë për të filluar ndjekjet penale për shkak të së njëjtës mangësi ligjore të konstatuar nga Gjykata në vendimin[3] Hristovi, i lartpërmendur. Prej këtej rrjedh se ankimi penal normalisht i mundshëm dhe efektiv në rastin e dhunimit fizik të shkaktuar nga duart e policëve është i destinuar të dështojë menjëherë në situatën e caktuar në të cilën ankohen kërkuesit. Gjykata nuk mund t’i qortojë ata se nuk i janë drejtuar prokurorisë me një ankim kundrejt policëve që kanë marrë pjesë në këtë operacion policor.
93. Gjykata, më pas vëren se në vendimin[4] e saj Mirosław Garlicki kundër Polonisë, no 36921/07, § 77, 14 qershor 2011, ajo ka pranuar se një ankim civil për dëmtim dhe interesa për shkelje të të drejtave subjektive të tilla si e drejta për shëndet, për liri, për nder dhe dinjitet njerëzor, e parashikuar nga legjislacioni polak, mund të përbëjë një rrugë të përshtatshme për të ndrequr shkeljen e pretenduar të nenit 3 kur kërkuesi ankohet vetëm për pasojat psikologjike të dëmshme të një arrestimi të kryer nga policë me maska, në sytë e një numri të madh personash dhe gjerësisht të mediatizuar më pas. Ajo vëren se kërkuesit në këtë çështje ankohen gjithashtu për pasojat psikologjike të veprimit policor objekt i të cilit kanë qenë. Qeveria thotë se ata mund të kishin ngritur një padi për zhdëmtim në bazë të ligjit mbi përgjegjësinë e shtetit dhe komunave për dëm (shih paragrafin 82 më sipër). Gjykata çmon megjithatë se ndryshe nga çështja Mirosłaë Garlicki, e cituar më lart, §§ 77 dhe 78, ku kërkuesi kishte shumë rrugë ankimi të brendshme efektive, një padi e mundshme për zhdëmtim e ngritur nga të katër kërkuesit sipas neneve 1 ose 2 të ligjit bullgar të cituar më lart nuk do të kishte asnjë mundësi suksesi për arsyet e parashtruara më poshtë.
94. Gjykata kujton në këtë pikë se neni 1 i ligjit mbi përgjegjësinë e shtetit u lejon individëve të kërkojnë përgjegjësinë e shtetit për dëm bazuar në akte, veprime ose mosveprime të paligjshme të organeve dhe punonjësve të shtetit në ushtrimin e funksioneve administrative. Sipas jurisprudencës së zakonshme të gjykatave të larta bullgare, aktet e autoriteteve të hetimit dhe ndjekjet penale në kuadrin e një procedimi penal nuk varen nga ushtrimi i funksioneve të tyre administrative dhe nuk bien në fushën e veprimit të nenit 1 të ligjit në fjalë (shih paragrafin 67 më sipër dhe vendimin Iliya Stefanov[5], (...), § 28). Gjykata vëren se aksioni i policisë në banesën e kërkuesve është bërë në kuadrin e një procedure penale dhe se ai synonte arrestimin e Z. Gutsanov dhe kërkimin e provave në banesën e tij. Prandaj, sipas jurisprudencës së gjykatave të brendshme, ky veprim lidhej me masat hetimore të mara gjatë kësaj procedure dhe nuk mund të bëjë përgjegjës shtetin për dëm sipas nenit 1 të ligjit të sipërcituar.
95. Për sa i përket zbatueshmërisë së nenit 2 të të njëjtit ligj, Gjykata vëren se hipotezat e vetme që mund të pranohen në rrethanat e rastit ishin konstatimi i paligjshmërisë së ndalimit të Z. Gutsanov dhe ndërprerjes së ndjekjes penale kundër tij, pra njohja e pafajësisë në gjykatën e shkallës së parë ose në apel (shih paragrafin 67 më lart) Gjykata konstaton sidoqoftë se gjykatat ku janë drejtuar kërkesat për lirim të Z. Gutsanov kanë çmuar se ndalimi ishte i ligjshëm nga pikëpamja e së drejtës së brendshme (...) dhe se, sipas informacioneve të fundit të mara nga kërkuesi, ndjekjet penale në fjalë kanë mbetur ende në stadin e hetimit paraprak (...). Në këto kushte, një padi e bazuar në nenin 2 të ligjit mbi përgjegjësinë e shtetit, në formulimin e tij ashtu siç ishte në fuqi në kohën e ngjarjeve, nuk do të kishte pasur sukses.
96. Gjykata konstaton, nga ana tjetër, se një padi e formuluar sipas nenit dy të këtij ligji në rastin e ndërprerjes së ndjekjes penale kundër Z. Gutsanov ose shfajësimit të tij nuk do të çonte në pranimin e heshtur apo të shprehur të dhunimit të së drejtës së tij për të mos iu nënshtruar trajtimeve çnjerëzore apo degraduese : fakti dëmtues që duhet provuar në kuadrin e një procedure të tillë do të ishte një fajësim për këtë apo atë shkelje penale të shoqëruar me një ndërprerje të ndjekjes penale ose të një shfajësimi të të akuzuarit. Kështu, shqyrtimi i fakteve nga ana e gjykatave të brendshme do të kufizohej me konstatime thjesht formale dhe nuk do të kishte prekur vetë thelbin e ankesave të kërkuesve, si për shembull domosdoshmërinë e mjeteve të përdorura nga policia në raport me objektivin e ndërhyrjes së tyre dhe pasojat psikologjike të dëmshme të operacionit të forcave të rendit ndaj katër kërkuesve.
97. Në mënyrë të përmbledhur, Gjykata mendon se për shkak të mangësive të legjislacionit të brendshëm as ankimi penal as padia për dëmtim dhe interesa kundër shtetit, të përmendura nga Qeveria e paditur, nuk do të ishin rrugët e brendshme të ankimit të duhura e efikase në rastin e çështjes : ankimi penal nuk do të kishte sukses për shkak të mungesës në të drejtën bullgare të dispozitave që dënojnë shkaktimin e vuajtjeve psikologjike (shih paragrafët 90-92 më sipër) dhe ankimi për kompensim kundër shtetit nuk do të kishte efikasitet për shkak të shtrirjes së kufizuar të shqyrtimit që gjykatat e brendshme mund të kenë kryer në kuadrin e një procedure të tillë (shih paragrafët 94-96 më sipër). Qeveria nuk ka përmendur asnjë rrugë ankimi që mund t’u lejonte të ndreqnin shkeljen e pretenduar të së drejtës së tyre të garantuar nga neni 3 i Konventës. Duke mbajtur parasysh këta elementë dhe argumentet e paraqitura më lart, Gjykata çmon se është mirë të rrëzohet kundërshtimi për mosshterimit të rrugëve të brendshme i ngritur prej Qeverisë.
ii. Mbi respektimin e kushteve të tjera të pranueshmërisë
98. Qeveria pretendon gjithashtu se ankimi i bazuar në nenin 3 të Konventës është ngritur në mënyrë të parakohëshme sepse hetimi paraprak i Z. Gutsanov nuk ka përfunduar ende. Gjykata nuk sheh asnjë lidhje të drejtpërdrejtë midis procedurës penale të cilës i referohet Qeveria dhe ankesës së ngritur nga kërkuesit : kjo procedurë ka për qëllim final jo të vërtetojë nëse punonjësit e shtetit kanë respektuar integritetin fizik apo dinjitetin e kërkuesve, por të zbulojë nëse Z. Gutsanov ishte fajtor ose jo për pjesëmarrjen në një organizatë keqbërësish dhe për vepra të tjera penale që lidheshin me detyrën e tij si kryetar i këshillit bashkiak të Varnës (...).
99. Edhe sikur të mendojmë se Qeveria ka ndërmend t’i ndërpresë ndjekjet e mëtejshme penale ose të shfajësojë Z. Gutsanov , çka do t’i jepte këtij të fundit mundësinë të ngrinte padi për dëmtim dhe interesa sipas nenit 2 të ligjit mbi përgjegjësinë e shtetit (shih paragrafët 95 më lart), Gjykata kujton se një padi e tillë nuk do të kishte lejuar të konstatohej dhunimi i të drejtës së kërkuesve për të mos iu nënshtruar trajtimeve çnjerëzore dhe degraduese gjatë operacionit policor në banesën e tyre (shih paragrafët 96 më lart). Në dritën e këtyre argumenteve, Gjykata nuk mund t’i qortojë kërkuesit se i janë drejtuar asaj para përfundimit të procedurës penale të ndjekur kundër z. Gutsanov Prej këtej rrjedh se kjo ankesë nuk është e parakohshme dhe se duhet rrëzuar kundërshtimi i Qeverisë i ngritur për këtë pikë.
100. Qeveria pretendon gjithashtu se kërkuesit nuk e kanë respektuar afatin prej gjashtë muajsh të parashikuar nga neni 35 § 1 i Konventës. Gjykata kujton se rregulla e gjashtë muajve është e lidhur ngushtë me atë të shterimit të rrugëve të brendshme të ankimit. Në fakt, afati prej gjashtë muajsh llogaritet nga vendimi i konsideruar si përfundimtar lidhur me zbatimin e shterimit të rrugëve të brendshme të ankimit (shih, mes të tjerash, Paul dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar (vend.), no 46477/99, në 7 qershor 2001). Sidoqoftë, në rastin kur mungojnë rrugët adekuate të ankimit në të drejtën e brendshme, afati prej gjashtë muajsh në parim llogaritet nga data në të cilën kanë ndodhur ngjarjet inkriminuese (Gongadzé kundër Ukrainës, no 34056/02, § 155, GjEDNj 2005‑XI).
101. Kur shqyrtoi kundërshtimin për mosshterimit të rrugëve të brendshme të ankimit të ngritur nga Qeveria, Gjykata mundi të konstatojë se asnjë rrugë ankimi e përmendur nga kjo e fundit nuk përmbushte kërkesën për efektivitet të shtruar nga neni 35 § 1 i Konventës. Kështu, në këtë çështje, fillimi i afatit prej gjashtë muajsh duhet të caktohet që nga data e ngjarjeve që çuan në ankimin e bazuar në nenin 3, d.m.th. që nga 31 marsi 2010. Kërkuesit e kanë paraqitur kërkesën e tyre në 21 maj 2010, Gjykata konstaton se afati gjashtë mujor për të paraqitur kërkesën pranë saj, është respektuar në këtë rast. Kundërshtimi për papranueshmëri i ngritur në këtë pikë duhet rrëzuar gjithashtu.
102. Qeveria së fundi kundërshton cilësimin si viktima të kërkuesve duke pretenduar se ata nuk i janë nënshtruar asnjë trajtimi që bie ndesh me nenin 3. Gjykata çmon se bëhet fjalë për një kundërshtim që duhet lidhur me shqyrtimin në themel të ankesës së bazuar në nenin 3 të Konventës. Ajo konstaton se kjo ankesë nuk është dukshëm e pabazuar sipas nenit 35 § 3 a) të Konventës dhe se nuk ka arsye tjetër për mospranueshmëri. Pra, ankesa duhet deklaruar si e pranueshme.
2. Ankesë e bazuar në një mungesë hetimi penal mbi ngjarjet
103. Gjykata vëren se kërkuesit e kanë ngritur këtë ankesë në vërejtjet e tyre me shkrim të 6 janarit 2012. Por, kur shqyrtoi pranueshmërinë e kësaj ankese të bazuar në nenin 3, në aspektin e vet material, ajo ka konstatuar se çdo ankesë penale që synon hapjen e një hetimi mbi ngjarjet do të ishte e dënuar të dështonte qysh në fillim po të kemi parasysh mungesën në të drejtën e brendshme të një dispozite ligjore që do të dënonte aktet e policëve që shkaktojnë vuajtje psikologjike (shih paragrafët 92 më sipër), tezë kjo tashmë e mbrojtur nga vetë kërkuesit (shih paragrafin 84 më sipër).
104. Gjykata kujton se, sipas jurisprudencës së zakonshme, pikënisja e afatit gjashtëmujor për t’iu drejtuar asaj, është data e fakteve të denoncuara kur e drejta e brendshme nuk ofron rrugë ankimi të përshtatshme (paragrafi 100 më lart). Ajo çmon se në këtë çështje, afati gjashtëmujor për nisjen e ankimit të bazuar në aspektin procedural të nenit 3 ka nisur që nga 31 marsi 2010. Por kërkuesit e kanë paraqitur këtë ankesë një vit e nëntë muaj më vonë. Prej këtej rrjedh se kjo ankesë është e vonuar dhe duhet hedhur poshtë në zbatim të nenit 35 §§ 1 dhe 4 të Konventës. .
B. Mbi themelin
1. Qëndrimet e palëve
a) Kërkuesit
105. Kërkuesit pretendojnë se mënyra se si është kryer operacioni i policisë në shtëpinë e tyre është në mospërputhje me nenin 3 të Konventës. Në 31 mars 2010, para agimit, një grup policësh me maska dhe të armatosur rëndë kanë hyrë në shtëpinë e tyre duke thyer bravën dhe pa marrë leje paraprakisht. Policët e forcave speciale kanë hyrë në dhomën e gjumit të Z. dhe Znj. Gutsanov dhe u kanë drejtuar armët dy vajzave të vogla të çiftit. Z. Gutsanov, një njeri politik me influencë dhe i respektuar, ishte ulur ne gjunjë dhe i ishin vënë prangat.
106. Kërkuesit çmojnë se nuk kishte asnjë arsye të planifikohej dhe të ekzekutohej operacioni policor në këtë mënyrë, meqë, për më tepër, Z. dhe Znj. Gutsanov ishin dhe njerëz të respektuar dhe të njohur në qytetin e tyre. Ata nuk kishin pasur dosje penale dhe nuk kishte asnjë arsye të besohej se do t’u bënin rezistencë forcave të rendit. Kontrolli në banesë nuk lidhej me ndonjë masë hetimi urgjente sipas nenit 161, paragrafi 2 i KPP. Sipas kërkuesve, të gjithë këta elementë dëshmojnë qëllimin për t’i frikësuar, për të cënuar dinjitetin e tyre dhe për të krijuar tek ata një ndjenjë pafuqie ndaj veprimeve të forcave të rendit.
107. Veprimi i policëve ka pasur një impakt psikologjik të dëmshëm te kërkuesit. Në veçanti, Znj. Gutsanova dhe dy vajzat e saj pesë dhe shtatë vjeç i janë nënshtruar një presioni të madh psikologjik të konstatuar nga mjekët psikiatër që i kanë ekzaminuar pak pas ngjarjeve në fjalë. Z. Gutsanov, një politikan i respektuar që i përket një partie opozitare, ka qenë viktimë e një arrestimi brutal dhe të mediatizuar, që renditej me arrestime të tjera politikanësh, gjatë një fushate propagandistike të kryer nga qeveria aktuale e vendit. Pasojat psikologjike dhe trajtimet e denoncuara kanë qenë aq të ashpra sa e kanë tejkaluar cakun e duhur për zbatimin e nenit 3 dhe për t’u cilësuar si trajtime « degraduese ».
b) Qeveria
108. Qeveria i kundërshton pretendimet e kërkuesve dhe versionin e fakteve që japin ata. Ajo çmon se operacioni i policisë i 31 marsit 2010 ka qenë i planifikuar hollësisht për të respektuar dinjitetin dhe të drejtat e kërkuesve. Arrestimi i Z.Gutsanov dhe kontrolli në banesë kanë qenë masa të zbatuara në kuadrin e një hetimi penal që kishte të bënte me fakte të rënda që përfshijnë shumë bashkëfajtorë të prezumuar. Policia ishte e informuar se Z. Gutsanov mbante pistoletë në shtëpi.
109. Operacioni i policisë kishte nisur pas lindjes së diellit, d.m.th. pas orës 6 të mëngjesit. Policët kanë trokitur në portën e jashtme të pronës së kërkuesve, kanë lajmëruar për praninë e tyre dhe kanë kërkuar hapjen e derës metalike. Roja u ka hapur derën, por u ka shpjeguar se nuk e kishte çelësin e derës së hyrjes së shtëpisë. Policët janë derdhur drejt kësaj dere dhe kanë trokitur si dhe kanë kërkuar t’ua hapin menjëherë. Z. Gutsanov ka dalë dy herë në dritaren e shtëpisë, ai i ka parë dhe i ka identifikuar policët nga uniformat e tyre, por nuk ka zbritur t’ua hapë derën. Në këtë kohë, duke pasur frikë se ai mund të shkatërronte provat, mund të merrte armën e tij të zjarrit ose të përpiqej të ikte, agjentët e forcave speciale kanë hapur me forcë derën e shtëpisë. Ata e kanë kapur Z. Gutsanov në katin e dytë të shtëpisë ndërsa ai po matej të hynte në një dhomë ku gjendeshin bashkëshortja dhe dy vajzat e tij.
110. Sipas Qeverisë, Z. Gutsanov nuk ka qenë i detyruar të gjunjëzohet. Policët i kanë vënë prangat pa përdorur teknikën e veçantë të imobilizimit dhe nuk ua kanë drejtuar armët vajzave dhe bashkëshortes. I vetmi polic që ka hyrë në dhomën e gjumit në katin e dytë mbante vetëm një pistoletë me shkarkim elektrik dhe nuk i ka folur as fëmijëve e as Znj. Gutsanov. Policët e forcave speciale kanë ndenjur në shtëpi vetëm pak minuta dhe kanë ikur pas arrestimit të Z. Gustnov. Pak më pas, kërkuesit i janë hequr prangat.
111. Veprimi i policëve është në pajtueshmëri me të drejtën e brendshme. Kontrolli i banesës ka qenë miratuar nga një gjyqtar brenda 24 orëve pas ekzekutimit të tij dhe prokuroria e rrethit, në bazë të informacioneve të dhëna nga autoritetet, ka konstatuar se policët nuk kishin kryer asnjë shkelje penale.
112. Qeveria pranon se hyrja e policisë në banesën e tyre dhe kontrolli i banesës sigurisht kanë shkaktuar ndjenja negative te kërkuesit. Ajo çmon megjithatë se bëhej fjalë për pasoja të pashmangshme dhe normalisht të lidhura me këto masa hetimore dhe se, për këtë shkak, këto shqetësime nuk e kanë tejkaluar pragun e gravitetit përtej të cilit zbatohet neni i Konventës. Për këtë dëshmon, për shembull, fakti se vajza e madhe është çuar, si zakonisht, në shkollë. Qeveria çmon nga ana tjetër se n.q.s. Z. Gutsanov do ta kishte hapur derën e shtëpisë, nuk do të ishte e nevojshme që policët të përdornin mjete speciale për të hyrë në shtëpi, çka do t’u kishte kursyer anëtarëve të familjes së tij shqetësimet e konstatuara në këtë rast.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Mbi vërtetimin e fakteve
113. Gjykata kujton se pretendimet për keqtrajtim, në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, duhet të mbështeten para saj me elementë provash të përshtatshme. Për të vërtetuar faktet kjo e fundit përdor kriterin e provës « përtej çdo dyshimi të arsyeshëm » (Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, § 161 in fine, seria À no 25). Gjithsesi, një provë e tillë mund të dalë nga një tufë treguesish, ose supozimesh të pakundërshtuara, mjaft serioze, të sakta dhe vërtetuese (Salman kundër Turqisë, i lartcituar, § 100).
114. Gjykata konstaton se faktet që lidhen me operacionin e policisë në shtëpinë e katër kërkuesve nuk janë bërë objekt i asnjë shqyrtimi nga ana e gjykatave të brendshme. Kur përballet me situata të ngjashme, Gjykata bën vlerësimin e saj të fakteve duke respektuar rregullat e caktuara nga jurisprudenca për këtë qëllim (shih, për shembull, Sashov dhe të tjerë kundër Bullgarisë, no 14383/03, § 48, 7 janar 2010).
115. Në bazë të këtyre parimeve, Gjykata çmon të përshtatshme të marrë si pikënisje për analizën e saj rrethanat që nuk japin shkas për debat midis palëve dhe elementët e provës të sjella nga palët. Ajo do të marrë parasysh gjithashtu pretendimet e palëve që mbështeten mjaftueshëm nga fakte të pakundërshtueshme dhe nga provat e paraqitura.
116. Palët nuk kanë kundërshtuar se ndërhyrja e policëve në banesën e kërkuesve ka nisur pak pas orës 6 :30, në mëngjesin 31 marsit 2010. Sekuencat e kamerave të sigurisë së pronës që janë në dispozicion të Gjykatës, si dhe buletini i shërbimit meteorologjik të Varnës, mbështesin pretendimin e kërkuesve se operacioni është zhvilluar para lindjes së diellit, madje në gjysmë-errësirë (shih paragrafët 20 dhe 21 më lart).
117. Palët bien dakord gjithashtu të thonë se ekipi i ndërhyrjes së policisë përbëhej nga policë me uniformë, policë civilë dhe policë me maska dhe të armatosur të forcave speciale. Regjistrimet e videos të paraqitura nga kërkuesit (shih paragrafin 21 i lartcituar) dhe raportet e paraqitura nga Qeveria (shih paragrafët 22, 24 dhe 27 më sipër) provojnë këto pretendime.
118. Prania e një arme zjarri dhe e municioneve në banesën e kërkuesve është gjithashtu një fakt i padiskutueshëm dhe i provuar nga procesverbali i kontrollit të banesës. Nga vërejtjet e Qeverisë dhe raportet e paraqitura nga kjo e fundit del se policët ishin vënë në dijeni nga eprorët e tyre për këtë armë (shih paragrafin 23 dhe 27 më sipër).
119. Palët bien dakord më pas për të thënë se dera e hyrjes së pronës së kërkuesve është hapur vullnetarisht nga roja me kërkesë të policëve (shih paragrafët 13 dhe 24 më lart). Skena në fjalë, nga ana tjetër, është filmuar dhe regjistruar nga sistemi i kamerave të sigurisë së shtëpisë (shih paragrafin 21 më sipër). Palët bien dakord gjithashtu se roja ka informuar policët për identitetin e personave të pranishëm në shtëpi dhe për faktin se nuk i kishte çelësat e derës së hyrjes në shtëpi dhe se po këtë derë e kanë hapur me forcë policët e forcave speciale të cilët kanë hyrë në shtëpi dhe kanë arrestuar Z.Gutsanov (shih paragrafët 13, 14, 24 dhe 25 më sipër).
120. Asnjë nga palët nuk e kundërshton faktin se kërkuesit nuk janë lënduar fizikisht gjatë operacionit policor dhe raportet e ekzaminimeve psikiatrike të Znj. Gutsanova dhe dy vajzave të tyre (shih paragrafët 30 dhe 31 më sipër) nuk janë kontestuar nga Qeveria.
121. Një divergjencë e parë midis versioneve të palëve qëndron në përshkrimin e sjelljes së Z. Gutsanov. Sipas Qeverisë, ai është shfaqur dy herë radhazi në dritaret e shtëpisë së tij, i ka dalluar policët dhe ka dëgjuar thirrjet e tyre por nuk e ka hapur derën e shtëpisë (paragrafi 25 më lart). Kërkuesi, nga ana e tij, pohon se ai nuk e kishte kuptuar se bëhej fjalë për një operacion policie në çastin kur policët e forcave speciale kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe kanë filluar të ngjisin shkallët (shih paragrafin 16 më lart).
122. Elementët e provës që ajo disponon nuk i lejojnë Gjykatës të përcaktojë nëse kërkuesi në fakt është shfaqur në dritaren e shtëpisë së tij dhe nëse qëllimisht ka kundërshtuar t’u hapë derën policëve. Ajo vëren gjithsesi se askush nuk kundërshton se policët kanë trokitur në derën e hyrjes së pronës dhe se ia kanë thënë me zë të lartë praninë e tyre rojës. Më pas ata kanë pohuar se kanë trokitur në derën e hyrjes së shtëpisë dhe kanë thërritur : “ Policia. Hapeni derën !”. Ky pohim mbështetet nga deklaratat e Z. dhe Znj. Gutsanov , sipas të cilave ata janë zgjuar nga të thirrurat dhe goditjet në derën e shtëpisë (shih paragrafin 15 më lart). Z. Gutsanov pohon se ai ka shkuar në katin e parë të shtëpisë për të marrë dy vajzat dhe se është ngjitur përsëri në dhomën e tij të gjumit në katin e dytë. Ky pohim mbështetet nga versioni i policëve që kanë parë siluetën e një burri pas xhamave të shtëpisë (shih paragrafin 25 më lart).
123. Për sa i përket vendit të saktë ku Z. Gutsanov është arrestuar, Gjykata vëren se ai vetë ka pranuar në deklaratën e tij se në çastin kur policët kanë hapur me forcë derën dhe i kanë dhënë urdhrat verbale, ai ka nxituar drejt dhomës së gjumit në katin e dytë ku ndodheshin bashkëshortja dhe fëmijët e tij (shih paragrafin 16 më lart). Gjykata nuk është në gjendje të përcaktojë nëse Z. Gutsanov është arrestuar në dhomën e gjumit në katin e dytë, ashtu siç pohon ai, apo në sheshpushimin e katit të dytë pasi ka dalë nga dhoma me dëshirën e tij, si pretendon Qeveria. Po kështu, nuk mund të vërtetohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se policët i kanë folur Znj. Gutsanova dhe i kanë kërkuar asaj t’i fusë fëmijët nën jorgan. Sido që të ketë ndodhur, Gjykata vëren se sipas pohimit të policëve të forcave speciale (shih paragrafët 25 dhe 27 më sipër), ata kanë parë fëmijët dhe bashkëshorten e Z. Gutsanov brenda dhomës së gjumit kur janë ngjitur në katin e dytë të shtëpisë duke ndjekur Z. Gutsanov. Gjykata pranon se Znj. Gutsanova dhe të dyja vajzat i kanë parë gjithashtu njerëzit e armatosur dhe me maska, qoftë edhe para derës së dhomës së tyre.
124. Gjykata nuk e çmon si të provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm pretendimin e Z. Gutsanov se ai ka qenë i detyruar të ulet në gjunjë me qëllim që policët të mund t’i vinin prangat. Për sa i përket mbajtjes së prangave, nuk është kundërshtuar se policët e forcave speciale e kanë prangosur Z.Gutsanov në katin e poshtëm të shtëpisë (shih paragrafin 16 më sipër). Gjykata vëren gjithashtu se asnjë palë nuk e saktëson se sa kohë kërkuesi ka ndenjur me pranga. Sidoqoftë, duhet konstatuar se asnjë provë e dosjes nuk tregon se kërkuesi është ekspozuar me pranga në duar para objektivave të gazetarëve që ishin mbledhur para hyrjes së pronës atë ditë. Përveç kësaj, fotografia e bërë në çastin e daljes nga shtëpia, rreth orës 13:00, nuk tregon aspak se interesuari është i prangosur (...).Gjykata çmon se duhet dalluar në këtë pikë kjo çështje nga çështja Mirosław Garlicki, i lart cituar, § 75, ku kërkuesi ishte arrestuar në vendin e punës, para kolegëve të tij dhe pacientëve, i prangosur dhe i filmuar.
b) Mbi shqyrtimin e nenit 3 në rastin e çështjes
125. Gjykata kujton se për të qenë në fushën e veprimit të nenit 3, keqtrajtimi duhet të arrijë një minimum rëndësie. Vlerësimi i këtij minimumi është relativ për nga vetë thelbi i tij: ai varet nga tërësia e të dhënave të çështjes dhe veçanërisht, nga kohëzgjatja e trajtimit, nga pasojat e tij fizike dhe psikologjike si dhe, ndonjëherë, nga seksi, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës. Gjykata e cilëson një trajtim « çnjerëzor » veçanërisht kur ai zbatohet me paramendim për orë të tëra dhe shkakton te viktimat dëmtime trupore ose vuajtje të forta fizike dhe morale. Gjykata gjykon si « degradues » një trajtim që krijon te viktimat e tij ndjenja frike, ankthi dhe inferioriteti që synojnë t’i ulin dhe t’i poshtërojnë ato (Labita kundër. Italisë [GC], no 26772/95, § 120, GJEDNJ 2000‑IV). Vuajtja psikologjike mund të jetë rrjedhojë e një situate ku punonjësit e shtetit krijojnë më qëllim te viktimat një ndjenjë frike duke i kërcënuar me vdekje ose keqtrajtime (shih Hristovi, i lartcituar, § 80).
126. Neni 3 nuk e ndalon përdorimin e forcës nga policët gjatë një arrestimi. Gjithsesi, përdorimi i forcës duhet të jetë i proporcionuar dhe absolutisht i domosdoshëm për rrethanat e rastit (shih, mes shumë të tjerash, Rehbock kundër Slovenisë, no 29462/95, § 76, GJEDNJ 2000‑XII; Altay kundër Turqisë, no 22279/93, § 54, 22 maj 2001). Në këtë drejtim, është e rëndësishme, për shembull, të dihet nëse është rasti të mendohet se i interesuari do të bëjë rezistencë ndaj arrestimit, ose do të përpiqet të arratiset, të shkaktojë plagosje ose dëme, apo të zhdukë provat (Raninen kundër Finlandës, 16 dhjetor 1997, § 56, Përmbledhje 1997‑VIII). Gjykata kujton veçanërisht se çdo përdorim force fizike nga punonjësit e shtetit ndaj një personi kur kjo nuk bëhet e domosdoshme nga sjellja e tij, ul dinjitetin e tij njerëzor dhe, për rrjedhojë, përbën një shkelje të të drejtave të garantuara nga neni 3 i Konventës (shih Rachwalski dhe Ferenc kundër Polonisë, no 47709/99, § 59, 28 korrik 2009). Ky kriter strikt i proporcionalitetit është zbatuar gjithashtu nga Gjykata në situata kur persona të interesuar gjendeshin tashmë nën kontrollin e forcave të rendit (shih midis të tjersh Klaas kundër Gjermanisë, 22 shtator 1993, § 30, seria À no 269 ; Rehbock, i lartcituar, §§ 68-78 ; Milan kundër Francës, no 7549/03, §§ 52-65, 24 janar 2008).
127. Duke iu kthyer fakteve të rastit, Gjykata vëren se operacioni ndiqte qëllimin e ligjshëm për të kryer një arrestim, një kontroll banese dhe sekuestrim si dhe objektivin me interes të përgjithshëm të ndëshkimit të shkeljeve. Ajo duhet të sigurohet se në rrethanat e çështjes është respektuar një ekuilibër i drejtë midis kërkesave të interesit të përgjithshëm të shoqërisë dhe ruajtjes së interesave themelore të individit. Ajo nënvizon se ndonëse të katër kërkuesit nuk janë lënduar fizikisht gjatë ndërhyrjes policore të kontestuar, kjo ndërhyrje ka kërkuar domosdoshmërish një farë përdorimi force fizike: dera e hyrjes së shtëpisë është shkallmuar nga një ekip i ndërhyrjes speciale, Z.Gustnov u ndalua nga policë me maska, që e morën me forcë në katin e poshtëm të shtëpisë së tij dhe i vunë prangat. Gjykata, pra, duhet të vendosë nëse ky përdorim i forcës fizike ishte i proporcional dhe absolutisht i nevojshëm në këtë rast.
128. Qëllimi i ndërhyrjes policore në banesën e kërkuesve atë ditë ishte ta kapte në befasi Z. Gutsanov, që ishte i dyshuar në një çështje penale për përvetësim fondesh publike dhe të kryhej një kontroll i vendbanimit me qëllim që të gjendeshin provat materiale dhe dokumentare në kuadrin e po këtij hetimi penal. Nga dokumentet e dosjes që ky hetim kishte hapur para pesë muajsh, del se kishte shumë të dyshuar në këtë çështje dhe se autoritetet kishin dyshime për ekzistencën e një organizate keqbërësish (shih [paragraf] 9 (...) më sipër). Por, sigurisht nuk bëhej fjalë për një grup individësh të dyshuar se kishin kryer akte kriminale të dhunshme.
129. Për sa i përket personalitetit të Z. Gutsanov, Gjykata vëren se ai ishte një politikan i njohur në Varna: në kohën e ngjarjeve, ai ishte kryetar i këshillit bashkiak të këtij qyteti. Për më tepër, asnjë element i dosjes nuk lejon të arrihet në përfundimin se ai kishte pasur precedent dhune dhe se mund të përbënte rrezik për policët që do të ndërhynin në banesë.
130. Është e vërtetë se Z. Gutsanov mbante në mënyrë të ligjshme një armë zjarri dhe municione në banesë. Ky fakt dihej nga shërbimet policore dhe kjo gjë ishte përmendur në mënyrë të veçantë në mbledhjen e ekipit të policisë që ishte bërë para fillimit të operacionit (shih paragrafin 23 më lart). Ky është padyshim një element i rëndësishëm që duhej marrë parasysh nga policët gjatë ndërhyrjes së tyre në shtëpinë e kërkuesve. Gjykata mendon, sidoqoftë, se prania e armës në shtëpinë e kërkuesve nuk mund të mjaftonte për të justifikuar përdorimin e një ekipi të ndërhyrjes së forcave speciale as përdorimin e një force aq të madhe sa ajo e përdorur në këtë rast.
131. Nga dokumentet e dosjes del se prania eventuale e fëmijëve të vegjël dhe e bashkëshortes së Z. Gutsanov nuk është marrë kurrë parasysh në planifikimin dhe ekzekutimin e operacionit policor. Ky fakt nuk është përmendur gjatë mbledhjes që i ka paraprirë zhvillimeve të oficerëve të policisë (shih paragrafin 23 më sipër) dhe policët nuk ia kanë vënë veshin paralajmërimit të rojës së shtëpisë se në shtëpi ndodheshin fëmijë të vegjël (shih paragrafin 24 më sipër).
132. Sigurisht, Gjykata nuk mund të shkojë deri aty sa t’i detyrojë forcat e rendit të mos arrestojnë të dyshuarit për vepra penale në shtëpitë e tyre sa herë fëmijët apo bashkëshortët e tyre ndodhen aty. Ajo çmon gjithsesi se prania e anëtarëve të familjes së të dyshuarit në vendin e arrestimit është një rrethanë që duhet të merret parasysh në planifikimin dhe ekzekutimin e këtij lloj operacioni policor. Kjo gjë nuk u bë në rastin e kësaj çështjeje dhe forcat e rendit nuk kanë konceptuar mënyra të tjera për kryerjen e operacionit në banesën e kërkuesve, si për shembull të shtynin për më vonë orën e ndërhyrjes, d.m.th. t’i përdornin ndryshe policët e përfshirë në operacion. Marrja parasysh e interesave të ligjshme të tre kërkuesve në rastin e çështjes, ishte e domosdoshme për më tepër që Znj. Gutsanova nuk ishte e dyshuar për përfshirje në veprat penale për të cilat akuzohej i shoqi dhe se dy vajzat ishin psikologjikisht të dobëta për shkak të moshës së tyre të vogël- respektivisht pesë dhe shtatë vjeç.
133. Gjykata vëren gjithashtu se mungesa e një kontrolli gjyqësor paraprak mbi domosdoshmërinë dhe ligjshmërinë e kontrollit në banesë e ka lënë plotësisht në vullnetin e autoriteteve policore dhe të organeve të hetimit penal, planifikimin e operacionit dhe nuk ka lejuar marrjen parasysh të të drejtave dhe interesave legjitime të Znj. Gutsanova dhe të dy vajzave të saj të vogla. Gjykata është e mendimit se në rrethanat specifike të çështjes një kontroll paraprak gjyqësor mund të kishte lejuar të viheshin në balancë interesat e tyre legjitime me objektivin e interesit të përgjithshëm për të kapur personat e dyshuar se kanë kryer një vepër penale.
134. Për sa i përket pasojës psikologjike të ndërhyrjes policore te kërkuesit, Gjykata kujton se operacionet policore që kërkojnë ndërhyrje në banesë dhe arrestimin e të dyshuarve krijojnë pashmangshmërisht emocione negative te personat që janë objektiv i këtyre masave. Gjithsesi, ekzistojnë në këtë rast elementë të provës konkretë dhe të pakundërshtueshëm që tregojnë se Znj. Gutsanova dhe dy vajzat e saj të vogla janë tronditur shumë nga ngjarjet në fjalë. Znj. Gutsanova ka shkuar dy herë te psikiatri duke u ankuar për pagjumësi dhe gjendje ankthi të fortë dhe ka marrë mjekime anksiolitike (shih paragrafin 31 më sipër). Dy vajzat dhe ajo janë vizituar nga një psikiatër që ka konstatuar se kur u flet për ngjarjen, ato reagojnë me të qara dhe me një ankth të fort (shih paragrafin 30 më sipër). Znj. Gutsanova pohon se B., vajza e saj e vogël, ka nisur të belbëzojë (shih paragrafin 28 më sipër). Ndërsa S., vajza e madhe e çiftit, sipas deklarimeve të hallës së saj dhe mësueses së shkollës tregojnë se fëmija është shënjuar thellë nga ndërhyrja policore në banesën e tyre dhe nga arrestimi i babait (shih paragrafin 29 ma lart). Gjykata mendon gjithashtu se ora e hershme e mëngjesit kur ka ndërhyrë policia dhe pjesëmarrja e policëve të forcave speciale me maska që Znj. Gutsanova dhe fëmijët i kanë parë, kanë kontribuar në shtimin e ndjenjës së frikës dhe të ankthit të tri kërkueseve deri në atë pikë sa të tejkalojë pragun e gravitetit të kërkuar për zbatimin e nenit 3 të Konventës. Gjykata çmon, pra, se tre kërkueset i janë nënshtruar një trajtimi degradues.
135. Për sa i përket efektit psikologjik të dëmshëm të operacionit policor mbi Z. Gutsanov, duhet konstatuar se ky kërkues nuk u është nënshtruar provave mjekësore për këtë efekt. Sidoqoftë, ai pohon se poshtërimi dhe ankthi që ka ndjerë gjatë arrestimit me forcë para anëtarëve të familjes ishin aq të forta sa e bëjnë të zbatueshëm nenin 3 në rastin e tij (shih paragrafin 107 më lart).
136. Gjykata shpreh përfundimet e saj sipas të cilave operacioni policor në fjalë është planifikuar dhe ekzekutuar pa marrë parasysh shumë rrethana domethënëse si natyra e veprave penale për të cilat akuzohej Z. Gutsanov , mungesa e precedentëve të dhunës nga ana e tij, prania eventuale e vajzave dhe të shoqes në shtëpi. Këta janë elementë që tregojnë qartë karakterin e tepruar të përdorimit të policëve dhe të mjeteve speciale për arrestimin e kërkuesit dhe për të siguruar hyrjen e policisë në banesën e tij. Gjykata çmon se, në dritën e këtyre rrethanave, mënyra se si është zhvilluar arrestimi i Z. Gutsanov, shumë herët në mëngjes, pas një hapjeje me forcë të derës, nga shumë policë me maska dhe të armatosur dhe në sytë e bashkëshortes dhe dy vajzave të vogla të frikësuara, ka shkaktuar ndjenja të forta frike, ankthi dhe pafuqie te kërkuesi, ndjenja që shkaktojnë poshtërim para familjarëve. Gjykata mendon se intensiteti i këtyre ndjenjave e tejkalon pragun e gravitetit që kërkon zbatimi i nenit 3 dhe për rrjedhojë edhe Z. Gutsanov i është nënshtruar një trajtimi degradues.
137. Si përfundim, pasi ka marrë parasysh të gjitha rrethanat e rëndësishme në këtë çështje, Gjykata mendon se operacioni policor në banesën e kërkuesve nuk ka qenë planifikuar dhe ekzekutuar në mënyrë të tillë që të siguronte se mjetet e përdorura ishin vërtet të domosdoshme për të arritur qëllimin final, d.m.th. arrestimin e një personi të dyshuar se ka kryer vepra penale dhe për mbledhjen e provave në kuadrin e një hetimi penal. Të katër kërkuesit i janë nënshtruar një sprove psikologjike që ka krijuar tek ata ndjenja të forta të frikës, ankthit dhe pafuqisë që për shkak të këtyre pasojave të dëmshme konsiderohen si trajtim degradues sipas nenit 3. Pra, në këtë rast ka pasur shkelje të kësaj dispozite të Konventës.
(...)
PËR KËTO MOTIVE, GJYKATA
1. Vendos t’i bashkojë themelit kundërshtimin e Qeverisë për sa i përket cilësimit të kërkuesve si viktima lidhur me ankesën e bazuar në nenin 3 të Konventës ;
2. Deklaron unanimisht, se kërkesa është e pranueshme për sa i përket ankesave të bazuara në nenin 3, (...)
3. thotë unanimisht, se ka pasur shkelje të nenit 3 kundrejt të katër kërkuesve ;
(...)
Hartuar në frëngjisht, më pas transmetuar me shkrim në 15 tetor 2013, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Françoise Elens-PassosIneta Ziemele
SekretarPrésidente
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores së Gjykatës, mendimi në pakicë i gjyqtarit K. Wojtyczek.
I.Z.
F.E.P.
(...)
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglishtdhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1] Vendim për pranueshmërinë dhe themelin
[2] Vendim për pranueshmëri dhe themelin
[3] Vendim për pranueshmërinë dhe themelin
[4] Vendim për pranueshmërinë dhe themelin
[5] Shënim i Botuesit; Iliya Stefanov kundër Bullgarisë no 65755/01, 22 maj 2008
Full & Egal Universal Law Academy