© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shume informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA GÜVEÇ KUNDËR TURQISË
(Kërkesë nr. 70337/01)
VENDIM
[Ekstrakt]
STRASBURG
20 Janar 2009
PËRFUNDIMTAR
20/04/2009
Ky vendim mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen Güveç kundër Turqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), me trup gjykues të përbërë prej:
Françoise Tulkens, President,
Ireneu Cabral Barreto,
Vladimiro Zagrebelsky,
Danutė Jočienė,
Dragoljub Popović,
Nona Tsotsoria,
Işıl Karakaş, gjyqtarë,
dhe Sally Dollé, Kancelare e Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura në datën 16 dhjetor 2008,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën mbi bazën e kërkesës (nr. 70337/01) kundër Republikës së Turqisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetas turk, Z. Oktay Güveç (“kërkuesi”), më 9 prill 2001.
2. Kërkuesit, të cilit iu dha ndihmë ligjore, u përfaqësua nga Znj. Mükrime Avcı dhe Znj. Derya Bayır, avokate që ushtronin aktivitetin në Stamboll. Qeveria Turke (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj.
3. Kërkuesi pretendoi, në veçanti, se mbajtja i tij në një burg për të rriturit dhe gjykimi i tij nga Gjykata e Sigurisë të Shtetit në vend të një gjykate për të mitur, përbënte shkelje të nenit 3 të Konventës. Ai pretendoi gjithashtu shkelje të neneve 5 dhe 6 të Konventës pasi nuk ishte lënë i lirë në pritje të gjykimit dhe se nuk ishte gjykuar në mënyrë të drejtë.
4. Më 2 qershor 2005, Gjykata vendosi t’ia komunikonte Qeverisë Turke kërkesën e paraqitur. Sipas dispozitave të nenit 29 § 3 të Konventës, ajo vendosi shqyrtimin në themel të ankimit në të njëjtën kohë me pranueshmërinë e saj.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesi ka lindur më 30 prill 1980 dhe jeton në Belgjikë.
6. Më 29 shtator 1995 një farë Z. Ozcan Atik u arrestua me dyshimin se ishte anëtar i PKK[1]. Një ditë më pas kërkuesi u arrestua në Stamboll sipas informacionit të dhënë në polici nga Z. Atik. Sipas këtij informacioni, kërkuesi ishte anëtar i PKK. Pas arrestimit të tij kërkuesi u mbajt në arrest nën mbikëqyrjen e policisë.
7. Kërkuesi u mor në pyetje nga oficerët e policisë më 5 tetor 1995. Në një deklaratë me shkrim të përgatitur nga ana e policisë dhe të nënshkruar prej tij, ankuesi citohej se deklaronte se ishte anëtar i PKK dhe se kishte pasur një numër takimesh me disa prej anëtarëve të saj, duke përfshirë Ozcan Atik. Sipas kërkuesit një ditë Ozcan Atik i kishte e kërkuar Menderes Kocak për t’i ofruar ndihmë financiare për PKK, por z. Kocak kishte refuzuar. Ozcan Atik i kishte kërkuar më pas kërkuesit për ta ndihmuar atë t’i vinte zjarrin automjetit në pronësi të Z. Kocak. Këtë ata kishin bërë një mbrëmje me ndihmën e dy personave të tjerë. Kërkuesi gjithashtu pohonte se nëse nuk do ishte arrestuar, ai do të marrë pjesë në aktivitetet e mëtejshme në emër të PKK.
8. Më 7 tetor 1995 Z. Kocak identifikoi zotin Atik dhe një person tjetër si personat që i kishin kërkuar atij të financonte PKK. Ai nuk mund të thoshte nëse ishin po të njëjtët persona që i kishin vënë zjarr automjetit dhe dyqanit të tij.
9. Më 9 tetor 1995 disa oficerë policie e çuan kërkuesin dhe tre persona të tjerë, përfshirë Z. Atik, në rrugën ku i ishte vënë zjarri automjetit të Z. Kocak.
10. Më 12 tetor 1995 kërkuesi dhe 21 persona të tjerë, të cilët ishin arrestuar si pjesë e të njëjtit operacionit policor, u çuan në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dega e Stambollit, ku u ekzaminuan nga një mjek. Sipas raportit mjekësor të hartuar në të njëjtën ditë, trupi i kërkuesit nuk kishte ndonjë shenjë keqtrajtimi.
11. Në po të njëjtën ditë kërkuesi u dërgua në Gjykatën e Sigurisë së Shtetit në Stamboll, ku u morr në pyetje nga një prokuror dhe më pas nga një gjyqtar i cili urdhëroi paraburgimin e tij në pritje të fillimit të procedurës penale kundër tij. Në deklaratën e hartuar nga prokurori kërkuesi citohej të kishte thënë se ishte një simpatizant por jo një anëtar i PKK. Ai i kishte vënë zjarrin automjetit së bashku me tre persona të tjerë. Në deklaratën e hartuar nga gjyqtari, megjithatë, kërkuesi citohej të kishte thënë se ai kishte vënë zjarrin automjetit i vetëm.
12. Kur u morr në pyetje nga policia, dhe më pas nga prokuroria dhe gjykatësi, kërkuesi nuk u përfaqësua nga një avokat.
13. Më 27 nëntor 1995 prokurori ngriti aktakuzë në Gjykatën e Sigurisë të Shtetit të Stambollit, ku akuzonte kërkuesin dhe pesëmbëdhjetë persona të tjerë për veprën e të kryerjes së aktiviteteve për qëllime të shkëputjes së një pjese të territorit kombëtar. Sipas nenit 125 të Kodit Penal në fuqi në atë kohë, dënimi i përcaktuar për këtë vepër ishte me vdekje (shih ligjin përkatës vendas dhe praktikën më poshtë).
14. Një seancë përgatitore u mbajt më 18 dhjetor 1995 nga Gjykata e Sigurisë të Shtetit të Stambollit (këtej e tutje "gjykata"). Një prej tre gjyqtarëve në panelin gjykues ishte një oficer i ushtrisë.
15. Në seancën e parë, të mbajtur më 27 shkurt 1996, kërkuesi ishte pranishëm, por nuk u përfaqësua nga një avokat.
16. Gjatë seancës së dytë, të mbajtur më 1 mars 1996, kërkuesi ende nuk ishte i përfaqësuar nga një avokat, por ishte marrë në pyetje nga gjykata. Kërkuesi deklaroi para gjykatës se shoku i tij i fëmijërisë Ozcan Atiki i ishte ankuar një ditë se, kur kishte qenë duke shitur gazetat një nga klientët e tij kishte refuzuar të paguante. Z. Atik i kishte sugjeruar kërkuesit t’i "jepnin një mësim të mirë konsumatorit". Një natë kërkuesi dhe Z. Atik kishin shkuar pranë një ndërtesë e madhe. Z. Atik kishte derdhur benzinë në rrugë jashtë ndërtesës nga një bidon benzine dhe i vunë zjarrin. Kërkuesi vetë nuk i kishte vënë zjarrin ndonjë automjet dhe nuk e njihte Menderes Kocak.
17. Kërkuesi, gjithashtu i pohoi gjykatës se, kur mbahej në arrest nga policia ishte goditur me rrymë elektrike, ishte spërkatur me ujë me presion dhe ishte rrahur me shkop gome; shputat e këmbëve të tij ishin goditur gjithashtu. Më pas ai kishte nënshkruar deklaratat që e implikonin atë në kryerjen e veprave penale për të cilat ishte akuzuar më pas. Për sa i përket deklaratave të marra prej tij nga ana e prokurorit dhe gjyqtarit më 12 tetor 1995, kërkuesi deklaroi se prokurori dhe gjyqtari e kishin pyetur vetëm për datën e tij të lindjes, dhe se ai nuk kishte bërë asnjë deklaratë para tyre. Kërkuesi mohoi gjithashtu faktin se, policia e kishte çuar atë në vendin ku ai mendohej se i kishte vënë zjarr një automjeti (shih paragrafin 9 më lart). Ai kërkoi lirimin e cila iu refuzua nga gjykata në të njëjtën ditë.
18. Gjatë seancës së tretë, të mbajtur më 18 prill 1996, një avokate që përfaqësonte disa nga të bashkakuzuarit e kërkuesit informoi gjykatën se ajo do të përfaqësonte gjithashtu kërkuesin. Gjatë po kësaj seance Menderes Koçak gjithashtu dëshmoi se Ozcan Atik kurrë nuk i kishte kërkuar atij para për PKK. Një automjeti në pronësi të tij i ishte vënë zjarr, por ai nuk mendonte se, Ozcan Atik e kishte bërë atë.
19. Kërkuesi i ishte nënshtruar një regjimi të kufizuar vizitash në burg dhe nuk kishte pasur mundësi që të kishte vizita të lira me familjen e tij.
20. Kërkuesi nuk kishte marrë pjesë në katër nga gjashtë seancat e mëvonshme të mbajtura në intervale dy mujore. Kërkesat për lirimin e tij të bëra nga avokatja e tij u hodhën poshtë të gjitha nga gjykata. Avokatja argumentoi se nuk kishte prova kundër kërkuesit përveç atyre të marra me dhunë gjatë keqtrajtimit.
21. Gjatë seancës së 10-të, e cila u mbajt më 29 maj 1997 në mungesë të kërkuesit, por me pjesëmarrjen e avokates së tij, prokuroria kërkoi nga gjykata gjykimin e kërkuesit për veprat e anëtarësimit në një organizate të paligjshme dhe dëmtimin e pronës, dhe jo për veprën me të cilën ai ishte akuzuar në aktakuzë (shih paragrafin 13 më lart). Gjykata e hodhi poshtë kërkesën për lirimin e kërkuesit.
22. Avokatja e kërkuesit nuk mori pjesë në seancën e 11, të mbajtur më 17 korrik 1997. Gjatë seancës 12-të, më 26 gusht 1997, avokatja argumentoi se, referuar dëshmisë së dhënë në gjykatë nga Z. Koçak më 18 prill 1996 (shih paragrafin 18 më sipër), nuk kishte asnjë provë që tregonte se kërkuesi kishte kryer veprat për të cilat akuzohej.
23. Avokatja nuk mori pjesë në seancën e 13, të mbajtur më 2 tetor 1997, sepse ajo kishte një angazhim tjetër pranë Gjykatës së Punës. Kërkuesi e parashtroi vetë mbrojtjen e tij dhe përsëriti pretendimet e tij për keqtrajtim gjatë mbajtjes në arrest nga policia. Ai gjithashtu kërkoi që të lirohet. Kjo kërkesë u refuzua nga gjykata.
24. Më 17 tetor 1997 gjykata e shpalli kërkuesin fajtor për anëtarësimin në një organizate të paligjshme dhe zjarrvënien e një automjeti, dhe e dënoi me nëntë vjet, tetë muaj dhe dhjetë ditë burgim. Gjykata konsideroi se, deklaratat e dhëna nga kërkuesi gjatë mbajtjes në arrest nga policia dhe deklaratat e dhëna nga të bashkakuzuarit e tij tregonin se kërkuesi ishte anëtar i organizatës ilegale dhe se ai i kishte vënë zjarrin automjetit.
25. Kërkuesi apeloi. Më 12 mars 1998 Gjykata e Kasacionit rrëzoi vendimin që dënonte kërkuesin. Çështja iu kthye gjykatës për rishqyrtim.
26. Më 11 shtator 1998 gjykata mbajti një seancë përgatitore në rigjykim. Një nga tre gjyqtarët në panelin e gjyqtarëve ishte një oficer ushtarak.
27. Tetë seanca u mbajtën ndërmjet periudhës nga 27 tetor 1998 deri më 30 dhjetor 1999. Avokatja e kërkuesit ishte e pranishme vetëm në një nga këto seanca, atë të 18 mars 1999, kurse kërkuesi mori pjesë në dy seanca. Gjatë seancës së 5-të, mbajtur më 15 korrik 1999, gjykatësi ushtarak u zëvendësua nga një gjyqtar civil në përputhje me legjislacionin i cili kishte hyrë në fuqi në ndërkohë (cf. Öcalan kundër Turqisë [GC], nr. 46221/99, §§2-54, ECHR 2005-IV).
28. Më 18 nëntor 1999 një shef i policisë informoi gjykatën se, në kundërshtim me pretendimet, asnjë automjeti në pronësi të Menderes Kocak nuk i ishte vënë zjarr.
29. Një seancë e 9-të u mbajt më 21 mars 2000. Kërkuesi ishte i pranishëm, por jo avokatja e tij. Gjatë seancës, Menderes Koçak dëshmoi para gjykatës se automjeti i tij nuk ishte djegur. Askush nuk i kishte kërkuar atij që të jepte para për PKK. Kur u pyet nga gjykata për të shpjeguar mospërputhjet ndërmjet deklaratës të bërë prej tij në polici më 7 tetor 1995 (shih paragrafin 8 më sipër) dhe dëshmisë aktuale, Z. Koçak deklaroi se ai nuk i kishte bërë ndonjëherë deklarata të tilla në polici; atij i ishte kërkuar të nënshkruante çfarëdo ishte shkruar në deklaratën e hartuar nga oficerët e policisë.
30. Gjatë së njëjtës seancë, kërkuesi përsëriti se ai nuk e njihte Z. Koçak dhe nuk i kishte vënë zjarr ndonjë automjeti. Ai vuri në dukje se ishte i arrestuar në moshën 15 vjeçare me asnjë provë kundër tij, dhe kërkoi të lirohej. Kjo kërkesë iu refuzua nga gjykata.
31. Kërkuesi por jo avokatja e tij morri pjesë në seancën e 10-të, të mbajtur më 23 maj 2000.
32. Gjatë seancës së 11-të të mbajtur më 25 korrik 2000 në mungesë të avokates së kërkuesit, gjykatës iu paraqit një letër e hartuar nga shoku i qelisë së kërkuesit. Letra shkruante se "kërkuesi ka probleme serioze psikike. Trajtimi i tij po bëhet nën mbikëqyrjen e një spital psikiatrik në Stamboll. Ai nuk është në gjendje të jetojnë pa ndihmën e të tjerëve dhe shëndeti i tij është duke u përkeqësuar. Si rrjedhojë, ai nuk është në gjendje të marrë pjesë në seanca dhe ai refuzoi të marrë pjesë në seancën e sotme. Ne e gjetëm të arsyeshme për t’ju dërguar këtë letër, pasi morëm vesh se avokatja e tij nuk ndiqte seancat".
33. Sipas një raporti mjekësor, të përgatitur nga mjeku i burgut më 24 korrik 2000, i cili i bashkëngjitej letrës të shokut të qelisë, kërkuesi ishte dërguar në një spital psikiatrik më 2 qershor 2000 dhe ishte kthyer në burg më 11 korrik 2000.
34. Nëna e kërkuesit gjithashtu mori pjesë në këtë seancë dhe e informoi gjykatën se kërkuesi kishte probleme serioze psikike. Ajo kërkoi lirimin e tij nga burgu. Gjatë së njëjtës seancë prokurori i kërkoi gjykatës të çlirojë kërkuesin nga akuza e zjarrvënies (neni 516 § 7 i Kodit Penal), por kërkoi dënimin e tij për veprën e anëtarësimit në një organizate të paligjshme (neni 168 i Kodit Penal) .
35. Megjithatë, trupi gjykues urdhëroi vazhdimin e mbajtjes së kërkuesit në burg dhe kërkoi dërgimin e tij në një spital psikiatrik me qëllim përcaktimin nëse kishte qenë penalisht i përgjegjshëm (doli capax) në kohën e kryerjes së veprës penale.
36. Më 7 gusht 2000 mjeku i burgut raportoi për problemet që kërkuesi kishte vuajtur në burg. Sipas këtij raporti, kërkuesi kishte tentuar vetëvrasjen në qershor 1999, duke marrë një mbidozë. Në gusht 1999 ai i kishte vënë zjarrin vetes duke pësuar kështu djegie të shumta dhe serioze. Ai kishte kaluar tre muaj në spital, ku ishte trajtuar për plagët e marra. Gjatë kësaj kohe në spital ai kishte marrë edhe ilaçe për depresion. Pas kthimit të tij në burg trajtimin e tij për djegiet kishte vazhduar për pesë muaj. Trupi i tij ende mbante shenjat e djegies.
37. Më 2 qershor 2000 shëndeti psikologjik i kërkuesit ishte përkeqësuar dhe ai u dërgua në spital, ku qëndroi për një muaj e gjysmë. Shëndeti i tij ishte përkeqësuar edhe më tej pas kthimit nga spitali dhe ai tani refuzonte t’i fliste çdokujt.
38. Mjeku i burgut konkludonte në raportin e tij se situata në burg nuk ishte në përputhje me nevojat e trajtimit të kërkuesit. Kërkuesi duhet të kalonte një kohë të konsiderueshme në një spital të specializuar.
39. Gjatë seancës së 12-të, të mbajtur më 10 tetor 2000, Znj. Mükrime Avcı, një nga përfaqësueset ligjore të kërkuesit, e përmendur më lart (shih paragrafin 2), paraqiti prokurë në gjykatë dhe e informoi atë se merrte përsipër përfaqësimin e kërkuesit. Znj. Avci argumentoi në pretendimet e saj me shkrim të paraqitura në gjykata se në kohën e arrestimit të tij kërkuesi kishte qenë vetëm 15 vjeç. Turqia ishte Palë në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës. Neni 40 § 3 i kësaj Konvente i rekomandonte Shteteve Palë të përcaktonin procedura dhe institucione të veçanta për fëmijët të akuzuar për vepra penale. Në të vërtetë, gjykatat për të mitur ekzistonin në Turqi. Megjithatë, kërkuesi akuzohej për një vepër që ishte në juridiksion e Gjykatës së Sigurisë të Shtetit dhe si e tillë, ligji vendas e ndalonte gjykimin e tij nga një gjykatë për të mitur. Nëse kërkuesi, do të ishte gjykuar përpara një gjykate për të mitur, ai nuk do të ishte mbajtur në arrest policor për 12 ditë, do caktohej një avokat që do e përfaqësonte dhe çështja do ishte zgjidhur brenda një afati kohor të shkurtër.
40. Avokati shtoi se, keqtrajtimi që i ishte bërë kërkuesit gjatë mbajtjes në arrest nga policia, së bashku me periudhën e gjatë të qëndrimit në arrest, kishin qenë të tepruara për t’u përballuar nga një fëmijë i moshës së tij. Ai kishte tentuar të vetëvritej në dy raste. Ai ende vuante nga probleme serioze psikike dhe e kishte të vështirë të merrte pjesë në seancat gjyqësore. Avokati kërkoi lirimin e kërkuesit në mënyrë që t’i nënshtrohej trajtimit mjekësor.
41. Avokati gjithashtu informoi gjykatën se, kërkuesi nuk ishte dërguar në spital, pavarësisht vendimit të gjykatës të datës 25 korrik 2000 (shih paragrafin 35 më lart). Në të njëjtën ditë gjykata vendosi lirimin me kusht të kërkuesit.
42. Kërkuesi ndoqi seancën e 14, të mbajtur më 13 mars 2001 dhe informoi gjykatën se, edhe pse ai kishte shkuar në spital për një ekzaminim mjekësor, autoritetet spitalore kishin refuzuar ta ekzaminonin pasi ai nuk kishte asnjë urdhër zyrtar për këtë qëllim. Gjykata vendore lëshoi një urdhër të ri ekzaminimi mjekësor.
43. Kërkuesi u ekzaminua në një spital psikiatrik në 25 prill 2001. Sipas raportit mjekësor të lëshuar prej tyre, përveç dy rasteve të përmendura më sipër (shih paragrafin 36), kërkuesi në shtator 1998 kishte bërë një përpjekje tjetër për të vrarë veten duke prere damarët e kyçeve të duarve. Shenjat e mëdha të djegies në krahët dhe trupin e tij ishin ende të dukshme. Problemet e tij psikologjike kishin filluar gjatë ndalimit të tij në burg dhe ishin përkeqësuar gjatë rrjedhës së kohës që ai kaloi atje. Në periudhën ndërmjet 2 qershor 2000 dhe 11 korrik 2000 ai ishte qenë trajtuar në spital për "depresion të rëndë". Problemet e tij psikike tashmë ishin në përmirësim. Në raport konstatohej se, kërkuesi nuk kishte vuajtur nga probleme psikike në kohën e kryerjes së veprës penale dhe se gjendja e tij mendore aktuale nuk ndikonte në përgjegjësinë e tij penale.
44. Në seancën e saj të 16-të, më 22 maj 2001, gjykata e shpalli kërkuesin të pafajshëm për akuzën e zjarrvënies, por e shpalli atë fajtor për anëtarësimin në një organizate të paligjshme dhe e dënoi me tetë vjet e katër muaj burgim. Gjykata vendore pohoi se deklaratat e bëra nga kërkuesi gjatë mbajtjes së tij në arrest policor, dhe më pas para prokurorit dhe gjyqtarit në përfundim të qëndrimit të në arrest policor, kishte qenë vendimtare në arritjen e përfundimit se ai ishte një anëtar i organizatës ilegale. Në ato deklarata kërkuesi kishte përshkruar "aktivitete të ndryshme", në të cilat ai kishte qenë i përfshirë. Gjykata gjithashtu arriti në përfundimin se, kërkuesi kishte qenë i përfshirë në shtypjen dhe shpërndarjen e fletëpalosjeve të paligjshme.
45. Kërkuesi apeloi. Më 13 mars 2002 prokurori paraqiti pretendimet e tij me shkrim në Gjykatën e Kasacionit dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Këto pretendime nuk iu komunikuan kërkuesit apo avokatit të tij.
46. Në parashtrimet e saj të detajuara, avokatja e kërkuesit theksoi se, e vetmja provë e paraqitur nga prokuroria në mbështetje të pohimit se klienti i saj ishte anëtar i një organizate ilegale ka qenë djegia e pretenduar e automjetit. Siç u përcaktua nga gjykata, asnjë incident i tillë nuk kishte ndodhur dhe pronari i automjetit nuk kishte bërë një ankesë të tillë. Nuk kishte vend në sistemin ligjor turk për koncepte abstrakte të tilla si "aktivitete të ndryshme" (shih paragrafin 44 më sipër). Për çdo aktivitet, që të mund të mbështetesh, duhet të jetë i përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të mbështetet në prova të mjaftueshme. Për më tepër, vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk shpjegonte se përse dhe si ishte konstatuar se kërkuesi kishte qenë i përfshirë në shtypjen dhe shpërndarjen e fletëpalosjeve së organizatës së paligjshme. Avokati gjithashtu përsëriti argumentet lidhur me moshën e kërkuesit dhe referencat në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës (shih paragrafin 39 më lart).
47. Më 20 maj 2002 Gjykata e Kasacionit la në fuqi vendimin.
48. Sipas informacionit të dhënë në gjykatë nga avokatja e kërkuesit, në vitin 2002 kërkuesi u largua për në Belgjikë, ku iu dha statusi i refugjatit.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
...
53. Neni 138 i Kodit të Procedurës Penale të asaj kohe, parashikonte se, për personat nën moshën 18 vjeç që nga momenti i arrestimit të tyre duhet t’u ofrohet ndihma ligjore pa qenë e nevojshme për ta kërkuar atë. Sipas nenit 31 të ligjit nr. 3842 të sipërpërmendur, neni 138 nuk ishte i zbatueshëm për persona të akuzuar për vepra në juridiksionin të Gjykatave të Sigurisë të Shtetit.
54. Sipas nenit 6 § 1 të ligjit për Krijimin, Detyrat dhe Procedurat e Gjykatave për të mitur (ligji nr. 2253 i 21 nëntor 1979, shfuqizohet dhe zëvendësohet me ligjin nr. 5395 të datës 15 korrik 2005 mbi Mbrojtjen e Fëmijëve), personat nën moshën 15 vjeçare gjykoheshin vetëm në gjykatat për të mitur. Sipas paragrafit të fundit të atij neni, edhe fëmijët nën moshën 15 vjeçare të akuzuar për vepra penale që ishin në juridiksionin e Gjykatave të Sigurisë të Shtetit do të gjykoheshin prej atyre gjykatave dhe jo nga gjykatat për të mitur.
55. Neni 37 i ligjit nr. 2253 parashikonte gjithashtu se, të miturit duhet të qëndronin në burgjet e posaçme për ta. Në vendet ku nuk ekzistojnë burgje të tilla, të miturit mbahen në një pjesë të veçantë të një burgu normal të ndarë nga të rriturit. Për qëllime të këtij ligji termi "i mitur" përfshinte personat të cilët ishin nën 15 vjeç në kohën kur ishte kryer vepra.
56. Neni 107 (b) i Rregullores mbi Administrimin e Burgjeve dhe Ekzekutimin i Vendimeve Penale (datë 5 korrik 1967) parashikonte se burgosurit nën moshën 18 vjeç duhej të mbaheshin veçmas nga të burgosurit e tjerë. Sipas nenit 106 të Rregullores, të burgosurit kishin mundësinë për të "informuar guvernatorët e burgut, prokurorët dhe Ministrinë së Drejtësisë për ankesave dhe kërkesave të tyre".
57. Në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili më 15 korrik 2005 u zëvendësua nga ligji i lartpërmendur për Krijimin, Detyrat dhe Procedurat e Gjykatave për të mitur, personat nën moshën 18 vjeç mund të gjykohen vetëm nga gjykatat për të mitur, përveç nëse prokurori deklaron se vepra penale për të cilën i mituri akuzohet është kryer në bashkëpunim me persona të tjerë jo të mitur, i mituri mund të gjykohet në gjykatat e zakonshme penale së bashku me këta persona.
III. TEKSTET PËRKATËSE NDËRKOMBËTARE
58. Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës e vitit 1989 (këtej e tutje, "Konventa e OKB-së"), e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989, ka forcë detyruese ndaj Shteteve Kontraktuese sipas së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë të gjitha Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.
Neni 1 i Konventës së OKB-së parashikon:
“Në këtë Konventë, me fjalën fëmijë nënkuptohet çdo njeri nën moshën 18 vjeçe, me përjashtim të rasteve kur mosha madhore arrihet më përpara, në përputhje me legjislacionin të cilit ai i nënshtrohet.”
Neni 3(i) parashikon:
“Në të gjitha veprimet që kanë të bёjnё me fёmijёn, të ndërmarra qoftё nga institucionet publike ose private të mirëqenies shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi mё i lartё i fëmijës duhet të jetё konsideratё parёsore.”
Neni 37(a) dhe (b) parashikon:
“Shtetet palë sigurojnё që:
(a) Asnjё fëmijë të mos i nёnshtrohet torturёs, as trajtimeve ose dёnimeve mizore, çnjerёzore ose poshtёruese. As dёnimi me vdekje, as burgimi i pёrjetshёm nuk duhet të jepen për shkelje të ligjit të kryera nga persona nёn 18 vjeç.
(b) Asnjё fёmije të mos i mohohet liria në mënyrë tё paligjshme ose arbitrare. Arrestimi, ndalimi ose burgimi i një fëmije duhet tё jetё në përputhje me ligjin dhe tё pёrdoret vetëm si masё e fundit dhe për njё kohё tё pёrshtatshme sa mё të shkurtër.
c) Çdo fëmijë i privuar nga liria duhet të trajtohet në mënyrë njerёzore dhe me respektin që i takon dinjitetit të lindur tё njeriut dhe në mënyrën e cila merr parasysh nevojat e personave të moshёs sё tij. Në veçanti, çdo fëmijë i privuar nga liria duhet të veçohet nga të rriturit, me pёrjashtim të rastit kur mendohet se është në interesin me të lartё të fëmijës që kjo të shmanget dhe ai të ketë të drejtën të mbajё lidhje me familjen me korrespondencё dhe vizita, pёrveç nё rrethana tё jashtёzakonshme;
(d) Çdo fëmijë i privuar nga liria duhet të ketë të drejtën që t’i jepet menjёherё ndihmё juridike ose çdo ndihmё tjetër e pёrshtatshme, si dhe të drejtën të sfidojё vendimin për heqjen e lirisё pёrpara një gjykate ose një autoriteti tjetёr kompetent, të pavarur dhe të paanshёm si dhe për një vendim të shpejtё për çdo rast të tillë.”
...
59. Pjesa përkatëse e Vërejtjeve Përfundimtare të Komitetit të Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës: Turqia (09/07/2001 (CRC/C/15/Add.152)) lexon si më poshtë:
“65. ... Fakti se ndalimi nuk është përdorur si një masë e fundit dhe se janë raportuar raste të fëmijëve që mbahen të izoluar për periudha të gjata vërehet me shqetësim të madh. Komiteti është i shqetësuar gjithashtu se ka një numër të vogël të gjykatave për të mitur dhe se asnjë prej tyre është e vendosur në pjesën lindore të vendit. Shqetësim është shprehur edhe për periudhat e gjata të paraburgimit dhe kushtet e varfra gjatë burgim si dhe faktin se nuk ka mjaftueshëm programe edukimi, rehabilitimi dhe ri-integrimi gjatë periudhës së ndalimit.
66. Komiteti rekomandon që Shteti palë të vazhdojë rishikimin e ligjit dhe praktikat në lidhje me sistemin e drejtësisë për të mitur në mënyrë që ta sjellë atë në përputhje të plotë me Konventën, në veçanti nenet 37, 40 dhe 39, si dhe me standardet e tjera përkatëse ndërkombëtare në këtë fushë, të tilla si Rregullat e Kombeve të Bashkuara të Standardeve Minimale për Administrimin e Drejtësisë për të Miturit (Rregullat e Pekinit) dhe Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Kriminalitetit tek të miturit (Udhëzimet Riyadh), me synimin për të rritur moshën minimale ligjore për përgjegjësi penale, duke zgjeruar mbrojtjen e garantuar nga Gjykata e Drejtësisë për të Miturit për të gjithë fëmijët deri në moshën 18 vjeçare dhe zbatimin e këtij ligji në mënyrë efektive duke krijuar gjykatat për të mitur në çdo krahinë. Në veçanti, ai i kujton Palëve se, të miturit duhet të trajtohen pa vonesë, në mënyrë që të shmangen periudhat e izolimit në paraburgim, dhe se paraburgimi duhet të përdoret vetëm si një masë e fundit, duhet të jetë për një periudhë sa më të shkurtër të jetë e mundur dhe jo më shumë se periudha e përcaktuar me ligj. Masat alternative ndaj paraburgimit duhen përdorur kur është e mundur.”
60. Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës mbi reagimet sociale ndaj kriminalitetit tek të miturit (nr. R(87)20), të miratuar më 17 shtator 1987 në takimin e 410 të zëvendës Ministrave, për aq sa është relevant, parashikon si më poshtë:
“Rekomandon qeveritë e shteteve anëtare për të rishikuar, nëse është e nevojshme, legjislacionin dhe praktikën e tyre me qëllim: ...
7. për të përjashtuar të miturit nga ndalimi, përveç rasteve të jashtëzakonshme për vepra të rënda penale të kryera nga të miturit e të rriturit; në këto raste, të kufizojnë gjatësinë periudhave të ndalimit dhe mbajtjen e të miturve në ambiente të ndara nga të rriturit; të bëjnë të mundur që vendimet e këtij lloji të merren, në parim, pas konsultimit me një departament të mirëqenies për propozime alternative...”
61. Neni 17 i Kartës Sociale Evropiane të 1961 rregullon të drejtën e mbrojtjes sociale dhe ekonomike për nënat dhe fëmijët. Në këtë kontekst, Komiteti Evropian për të Drejtat Sociale theksoi, në Konkluzionet e tij XVII-2 (2005, Turqia) që periudhat e paraburgimit për shkelësit e rinj ishin të gjata dhe kushtet e burgimit të dobëta.
62. Në raportin e tij, lidhur me vizitat e kryera në Turqi midis 5 dhe 17 tetor 1997, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor dhe Degradues apo Ndëshkimin ("KPT") shprehu dyshime serioze "sa i përket politikës së vendosjes së të miturve që u është privuar liria (të miturve nga mosha 11 deri 18 vjeç) në burgje për të rritur "(CPT / Inf (99) 2 EN, data e publikimit: 23 shkurt 1999).
63. Në raportin e tij të përgatitur në lidhje me vizitat e tij të kryera në Turqi midis 16 dhe 29 mars 2004 (CPT / Inf (2005) 18), KPT-ja deklaroi si në vijim:
“në raportet e vizitave të tij në vitin 1997 dhe shtator 2001, KPT-ja ka shprehur qartësisht dyshime serioze lidhur me politikën e vendosjes së të miturve që u është privuar liria në burgje për të rritur. Një kombinim i kushteve materiale mediokre dhe një regjimi të varfër ka krijuar shumë shpesh një ambient të përgjithshëm i cili është krejtësisht e papërshtatshme për këtë kategori të burgosurish. Faktet e gjetura gjatë vizitës së marsit 2004 vetëm kanë përforcuar ato dyshime. Këtu përsëri, dispozitat e lavdërueshme të Urdhrit të brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë të 3 nëntor 1997 ("kushtet fizike të seksioneve të burgut të ndara për të miturit duhet të rishikohen dhe përmirësohen në përputhje me psikologjinë e fëmijëve dhe duhen zbatuar programe edukative, lojëra aftësie intensive dhe aktivitete sportive") duken se kanë pasur shumë pak ndikim praktik.”
64. Sipas UNICEF-it, sistemi i drejtësisë për të miturit është ende në fillesat e tij në Turqi në vitin 2008. Gjyqtarët po trajnoheshin lidhur me qendrat e burgimit për fëmijë, zgjidhjet alternative të mosmarrëveshjeve dhe gjykimin e drejtë të fëmijëve që akuzoheshin për shkelje të ligjit.
E DREJTA
I. PRETENDIM PËR SHKELJE TË NENIT 3 TË KONVENTËS
65. Duke u bazuar në nenin 3 të Konventës, kërkuesi u ankua se gjykimi i tij në Gjykatën e Sigurisë së Shtetit të Stambollit, dhe ndalimi i tij në të njëjtat ambiente me të rriturit, i kishte shkaktuar atij vuajtje mendore. Neni 3 i Konventës parashikon si më poshtë:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
66. Qeveria e kundërshtoi këtë argument.
A. Pranueshmëria
67. Duke iu referuar i Rregullores mbi Administrimin e Burgjeve dhe Ekzekutimin i Vendimeve Penale (shih paragrafin 56 më lart), Qeveria pretendoi se kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet e brendshme ligjore, sepse as ai dhe as avokatja e tij nuk kishin paraqitur një ankesë sipas nenit 106 të Rregullores lidhur me ndalimin e kërkuesit në të njëjtin ambient me të rriturit. Qeveria gjithashtu vuri në dukje se kërkuesi kishte pasur mundësinë t’i paraqiste ankesat e tij para gjykatës së Sigurisë së Shtetit ose para Gjykatës së Kasacionit.
68. Kërkuesi u përgjigj duke pohuar se, duke pasur parasysh formulimin e qartë të rregullave të brendshme dhe konventave përkatëse ndërkombëtare, autoritetet kishin qenë të detyruara për ta mbajtur atë veçmas nga të ndaluarit e rritur. Duke qenë se legjislacioni i brendshëm i zbatueshëm parashikonte qartë rreziqet e mundshme në mirëqenien e një fëmije të moshës së tij në kohën e arrestimit, ishte e pa justifikueshme për Qeverinë të argumentonte se gjyqtarët dhe autoritetet e burgut nuk kishin pasur dijeni për ato rreziqe kur e kishin mbajtur atë në një burg për të rritur.
69. Gjykata rikujton se, sipas jurisprudencës së saj, qëllimi i rregullit për shterimin e mjeteve të brendshme parashikuar në nenin 35 § 1 i Konventës, është t’u japë Shteteve Kontraktuese mundësinë e parandalimit ose vënies në vend të së drejtës që pretendohet të jetë shkelur para se të ngrihen përpara Gjykatës. Megjithatë, të vetmet mjetet juridike që duhen shteruar janë ato të cilat janë efektive. Ishte detyrë e Qeverisë e cila pretendonte mosshterimin, t’i vërtetonte Gjykatës se mjetet ishin efektive, dhe të disponueshme në teori dhe praktikë në kohën përkatëse (shih, ndër të tjera, Vernillo kundër Francës, vendim i 20 shkurtit 1991, Seria A nr. 198, § 27, dhe Dalia kundër Francës, vendim i datës 19 shkurt 1998, Raporte të Vendimeve 1998-i, § 38).
70. Pasi të vërtetohej ky fakt, barra e provës binte mbi kërkuesin për të vërtetuar se mjeti në fakt ishte shteruar apo ishte për disa arsye i pamjaftueshëm dhe joefektiv në rrethanat e veçanta të çështjes, apo që ekzistonin rrethana të veçanta që e përjashtonin atë nga kjo kërkesë (shih Aksoy kundër Turqisë, vendimi i datës 18 dhjetor 1996, Raportet 1996-VI, § 52).
71. Gjykata vëren më tej se, zbatimi i këtij rregulli duhet të bëhet duke marrë parasysh kontekstin. Rrjedhimisht, ajo ka pranuar se neni 35 § 1 duhet të zbatohet me një shkallë fleksibiliteti dhe jo formalizmi të tepruar (shih vendimin e Akdivar dhe të Tjerët kundër Turqisë i 16 shtator 1996, Raportet 1996-IV, § 69).
72. Gjykata vëren se kërkuesi u arrestua më 30 shtator 1995 dhe u mbajt në arrest policor për një periudhë prej dymbëdhjetë ditësh, gjatë së cilës, në përputhje me legjislacionin e brendshëm në fuqi në atë kohë, ai nuk kishte pasur kontakt me asnjë avokat apo anëtar të familjes së tij (shih paragrafin 53 më lart in fine). Në përfundim të periudhës që u mbaj në arrest policor më 12 tetor 1995, ai u mor në pyetje nga një prokuror dhe një gjyqtarë, përsëri në mungesë të një avokati. Në të njëjtën ditë gjyqtari urdhëroi arrestin e tij në burg. Në këto rrethana, Gjykata çmon si joreale të pritet nga një person pesëmbëdhjetë vjeçar, i cili sapo ishte liruar nga dymbëdhjetë ditë arrest policor, i izoluar, për t’iu referuar Rregulloreve për Administrimin e Burgjeve dhe Ekzekutimit e Vendimeve Penale dhe të kërkonte të vendosej në një burg veçmas të burgosurve të rritur.
73. Për më tepër, Gjykata vëren se, kur gjykatësi gjatë marrjes së vendimit për mbajtjen e kërkuesit në burg, posedonte informacioni që tregonin datën e lindjes së kërkuesit. Duket, pra, se edhe pse gjykatësi ishte në dijeni se ai ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, ka vepruar me mospërfillje të plotë të procedurës së zbatueshme, duke urdhëruar ndalimin e kërkuesit në një burg për të rriturve.
74. Hera e parë që kërkuesi u përfaqësua nga një avokat ishte gjatë seancës së tretë, e cila u mbajt më 18 prill 1996, pra gjashtë muaj pas vendimit për arrestin e tij në burg (shih paragrafin 18 më lart). Gjatë këtyre gjashtë muajve gjykata jo vetëm që nuk lejoi që kërkuesi të mos përfaqësohej nga një avokat, por gjithashtu në dy raste urdhëroi zgjatjen e arrestit të tij në burg (shih paragrafët 15-17 më lart).
75. Avokatja që përfaqësonte kërkuesin mes 18 prill 1996 dhe 10 tetor 2000, nga ana e saj, haptazi kishte dështuar të mbronte në mënyrë të përshtatshme kërkuesin. Gjithashtu ajo nuk ndoqi 17 nga 25 seancat gjyqësore, dhe nuk vuri në dijeni gjykatën për problemet psikologjike me të cilat po përballej kërkuesi në burg apo për tre përpjekjet e tij të vrarë veten.
76. Së fundi, ishte shoku i qelisë i kërkuesit, i cili pasi u bë i vetëdijshëm për dështimin e avokates së kërkuesit për ta përfaqësuar atë në mënyrën e duhur mori iniciativën për të informuar gjykatën për problemet mjekësore me të cilat po përballej kërkuesi (shih paragrafin 32 më lart).
77. Ekzistenca e problemeve psikike të kërkuesit u konfirmua nga mjeku i burgut në raportin e tij të 7 gusht 2000. Në këtë raport mjeku informoi gjykatën se kërkuesi i kishte vënë zjarrin vetes, kishte prerë damarët e kyçeve të dorës, kishte të marrë mbidozë dhe se ai kishte qenë disa herë në spital. Mjeku gjithashtu informoi gjykatën se situata në burg ishte e pakënaqshme për trajtimin e kërkuesit; ai duhej të dërgohej dhe të kalonte një kohë të konsiderueshme në një spital të specializuar (shih paragrafin 38 më lart).
78. Edhe pasi janë informuar për problemet mjekësore të kërkuesit dhe për papërshtatshmërinë e trajtimit të tij në burgut, gjyqtari urdhëroi vazhdimin e ndalimit të tij në burg.
79. Në çështjen konkrete Qeveria nuk kishte paraqitur ndonjë dokument apo dëshmi të tjera që tregonin se mjeti i përmendur nga ana e tyre, për të cilin pretendohej se nuk ishte shteruar, ishte efektiv për qëllimet e nenit 35 § 1 të Konventës. Duke pasur parasysh praktikën e përhapur të mbajtjes së të miturve në burgje për të rritur në Turqi, siç theksohet në raportet e organizatave të caktuara ndërkombëtare (shih paragrafët 59-64 më lart), Gjykata ka dyshime në lidhje me efektivitetin e këtij mjeti.
80. Në çdo rast, Gjykata konsideron se, rrethanat e veçanta të përshkruara më sipër e përjashtojnë kërkuesin nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike të brendshme në lidhje me ankimin e tij në bazë të nenit 3 të Konventës. Rrjedhimisht, ky ankim nuk mund të refuzohet për mos-shterimit të mjeteve të brendshme.
81. Si përfundim, Gjykata vendos se kërkesa nuk është haptazi e pabazuar, në kuptim të nenit 35 § 3 të Konventës. Për më tepër, Gjykata vëren se ajo nuk është i papranueshme për ndonjë arsye tjetër. Prandaj, ajo vendos se është e pranueshme.
B. Themeli
82. Kërkuesi i referohet jurisprudencës së Gjykatës sipas nenit 3 të Konventës, duke theksuar se, Palët Kontraktuese kanë detyrim për të marrë masa për të siguruar që individët brenda juridiksionit të tyre të mos i nënshtroheshin keqtrajtimeve. Këto masa duhet të sigurojnë mbrojtje efektive veçanërisht në lidhje me fëmijët dhe grupet e personave të tjerë të cenueshëm dhe duhet të përfshijnë ndërmarrjen e hapave të përshtatshme për të parandaluar keqtrajtimet për të cilat autoritetet kishin ose duhet të kishin pasur njohuri.
83. Në rastin e tij, Shteti i paditur kishte dështuar, pavarësisht detyrimeve të tij sipas legjislacionit të tij të brendshëm dhe sipas konventave ndërkombëtare në të cilat ishte palë, për të siguruar mbrojtje efektive kundër ashpërsisë së ndalimit arbitrar të kërkuesit në një burg të të rriturve, ku ai ishte mbajtur me të rriturit për një periudhë prej më shumë se pesë vjet. Për më tepër, për tetëmbëdhjetë muajt e parë të kësaj periudhe ai gjykohej për një krim për të cilin parashikohej dënimi me vdekje. Duke qenë se, ishte duke u gjykuar për një krim në juridiksionin e Gjykatës të Sigurisë së Shtetit, ai kishte qenë subjekt i një regjimi rreptësisht të kufizuar vizitash në burg. Ai nuk kishte pasur, për shembull, mundësi për vizita të lira me familjen e tij. Kushtet e burgimit të tij kishin ndikuar negativisht në shëndetin e tij mendor dhe e kishin çuar atë të tentonte disa here vetëvrasje.
84. Ai pretendonte se, problemet e mësipërme, së bashku me gjykimin e tij para Gjykatës të Sigurisë së Shtetit në Stamboll, i kishin shkaktuar atij vuajtje psikologjike në atë masë sa të përbënin trajtimit çnjerëzor dhe degradues.
85. Kërkuesi, më tej shtoi se, gjatë qëndrimit në burg atij nuk i ishte ofruar kujdesi i duhur mjekësor, pavarësisht seriozitetit të problemeve të tij shëndetësore. Sipas tij, dështimi për ta liruar atë, të paktën përkohësisht, për t’i ofruar kujdesin e duhur mjekësor përbënte trajtim çnjerëzor në kundërshtim të nenin 3 të Konventës.
86. Në mbështetje të pretendimeve të tij kërkuesi iu referuar raporteve të KPT-së (shih paragrafët 62-63 më lart), në të cilën KPT-ja kishte shprehur dyshimet e veta për sa i përket politikës së ndalimit të miturve në burgjet për të rritur në Turqi.
87. Qeveria nuk kundërshtoi faktin se kërkuesi ishte mbajtur në burg së bashku me të rriturit. Duke iu referuar raportit mjekësor të 25 prill 2001 (shih paragrafin 43 më lart), ata pohuan se kërkuesi nuk vuante nga ndonjë problem mendor, që e përjashtonte atë nga përgjegjësia penale për veprimet e tij. Ata gjithashtu argumentuan se, keqtrajtimi i pretenduar nga kërkuesi nuk arrinte nivelin minimal të ashpërsisë që të binte brenda fushës së veprimit të nenit 3 të Konventës.
88. Gjykata vëren që në fillim se, mbajtja e kërkuesit në një burg për të rritur ishte në kundërshtim me rregulloret e zbatueshme të cilat ishin në fuqi në atë kohë (shih paragrafin 56 më sipër) dhe që pasqyronin detyrimet e Turqisë sipas traktateve ndërkombëtare (shih paragrafin 58 më lart).
89. Ajo më tej vëren se, sipas raportit mjekësor të hartuar më 25 prill 2001 (shih paragrafin 43 më lart), problemet mendore të ankuesit kishin filluar gjatë mbajtjes të tij në burg dhe ishin përkeqësuar gjatë pesë vjetëve të qëndrimit të tij atje. Raportet mjekësore të 24 korrik 2000 dhe 7 gusht 2000 gjithashtu paraqesin në detaje problemet serioze mjekësore nga të cilat vuante kërkuesi në burg. Gjykata konsideron se, fakti që kërkuesi ishte vlerësuar si penalisht i përgjegjshëm për gjykim dhe problemet e tij psikologjike kishin ardhur duke u përmirësuar gjashtë muaj pas lirimit të tij nga burgu nuk ndryshonin seriozitetin e problemeve mjekësore nga të cilat ai ka vuajtur gjatë periudhës së ndalimit.
90. Siç edhe u vu në dukje nga Qeveria, keqtrajtimi duhet të arrijë një nivel minimal të ashpërsisë që ai të përfshihet në fushën e veprimit të nenit 3 të Konventës (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, vendim i datës 18 janar 1978, Seria A nr. 25, § 162). Vlerësimi i këtij minimumi është relativ: ai varet nga të gjitha rrethanat e çështjes, të tilla si kohëzgjatja e trajtimit, pasojat fizike dhe/ose mendore të tij dhe, në disa raste, seksi, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës (shih, midis vendimesh të tjera, Tekin kundër Turqisë, vendimi i datës 9 qershor 1998, Raportet 1998-IV, § 52).
91. Në çështjen konkrete, Gjykata nuk bie dakord me pretendimin e Qeverisë se problemet e kërkuesit nuk arrijnë nivelin minimal të ashpërsisë në kuadër të nenit 3 të Konventës. Kërkuesi ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç kur u arrestua dhe ai kaloi pesë vitet vijuese të jetës së tij në një burg së bashku me të burgosurit e rritur. Për gjashtë muaj e gjysmë, në fillim të kësaj periudhe, ai nuk mori asnjë ndihmë ligjore. Në të vërtetë, siç detajohet më sipër (shih paragrafët 74 dhe 75 më lart), ai nuk kishte përfaqësimin e duhur ligjor në këto pesë vjet, që kur ai u arrestua. Këto rrethana, së bashku me faktin që për një periudhë prej tetëmbëdhjetë muajsh ai gjykohej për një vepër që dënohej me vdekje, duhet të kenë krijuar pasiguri të plotë tek kërkuesi për fatin e tij.
92. Për sa më sipër, Gjykata konsideron se rrethanat e ndalimit të tij padyshim i kishin shkaktuar kërkuesit probleme psikologjike të cilat, tragjikisht çuan në përpjekjet e tij të përsëritura për t’u vetëvrare.
93. Gjykata më tej çmon se, autoritetet kombëtare nuk kanë qenë vetëm përgjegjësit direkt për problemet e kërkuesit, por edhe kishin dështuar haptazi për t’i siguruar atij kujdesin e duhur mjekësor. Nuk ka dokumente në dosje që provojnë se, gjykata ishte informuar për problemet që kërkuesi po kalonte dhe përpjekjet e tij për vetëvrasje deri në verën e vitit 2000 (shih paragrafët 32 dhe 36 më lart). As ka ndonjë dokumentet në dosje që tregon se gjykata tregoi ndonjë shqetësim për kërkuesin kur ky i fundit merrte pjesë në seancat gjyqësore. Në fakt, hera e parë që gjykata ishte informuar për problemet e kërkuesit, njoftimi nuk kishte ardhur nga ndonjë zyrtar përgjegjës për të burgosurit - si guvernatori apo mjeku i burgut - të cilët ishin në dijeni të këtyre problemeve, por nga shoku i qelisë së kërkuesit (shih paragrafin 32 më lart). Ishte po ai që i përcolli gjykatës raportin mjekësor të mjekut të burgut (shih paragrafin 33 më lart).
94. Sipas këtij raporti, burgu nuk ishte një vend i përshtatshëm për trajtimin e kërkuesit, i cili duhej të kalonte një kohë të konsiderueshme në një spital të specializuar (shih paragrafin 38 më lart). Gjykata vëren me keqardhje se informacioni i dhënë nga mjeku i burgut nuk e nxiti gjykatën për të vepruar në mënyrë që kërkuesit t’i ofrohej kujdesi i duhur mjekësor. Hapi i vetëm i ndërmarrë nga gjykata ishte vendimi për dërgimin e kërkuesit në spital, jo për trajtimin e problemeve të tij shëndetësore, por për një ekzaminim mjekësor me qëllim përcaktimin nëse ishte penalisht i përgjegjshëm (doli capax) kur dyshohej se kishte kryer veprën për të cilën akuzohej (shih paragrafin 35 më lart).
95. Në të vërtetë, siç vuri në dukje edhe kërkuesi, gjykata jo vetëm dështoi për të siguruar që ai të merrte kujdesin mjekësor, por edhe pengoi atë dhe familjen e tij që ta bënin këtë gjë, duke refuzuar lirimin e tij me kusht për një periudhë tjetër prej dy muajsh e gjysmë (shih paragrafët 35 dhe 41 më lart).
96. Në këtë pikë Gjykata rithekson se, edhe pse neni 3 i Konventës nuk mund të interpretohet se vendos një detyrim të përgjithshëm për lirimin e të burgosurit për shkaqe shëndetësore, ai megjithatë vendos detyrimin e shtetit për të mbrojtur mirëqenien fizike të personave të privuar nga liria e tyre, për shembull, duke u ofruar atyre ndihmën e duhur mjekësore (shih Mouisel kundër Francës, nr. 67263/01, § 40,ECHR 2002-IX dhe çështjet e cituara aty). Siç është përcaktuar më sipër, autoritetet nuk e çliruan veten e tyre nga ky detyrim.
97. Duhet theksuar gjithashtu se asnjë veprim nuk u ndërmor, pavarësisht problemeve psikologjike të kërkuesit dhe përpjekjes së parë të tij për vetëvrasje, për të parandaluar që përpjekje të tilla të mos ndodhnin më (shih, në lidhje me këtë, Keenan kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 27229/95, §§ 112-116, ECHR 2001-III).
98. Duke pasur parasysh moshën e kërkuesit, periudhën e gjatë të ndalimit të tij në të njëjtin burg me të rriturit, dështimin e autoriteteve për të siguruar kujdesin e duhur mjekësor për problemet e tij psikologjike, dhe, së fundi, nga dështimi për të ndërmarrë hapa, me qëllim parandalimin e përpjekjet e tij të përsëritura për vetëvrasje, Gjykata vëren, pa asnjë dyshim që kërkuesi i është nënshtruar trajtimit çnjerëzor dhe degradues. Rrjedhimisht, ka shkelje të nenit 3 të Konventës.
99. Gjykata e konsideron të panevojshme për të shqyrtuar veçmas ankimin se gjykimi i kërkuesit nga Gjykata e Sigurisë së Shtetit përbënte keqtrajtim sipas kuptimit të nenit 3 të Konventës.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 5 § 3 [...] TË KONVENTËS
100. Kërkuesi pretendoi, sipas nenit 5 § 3 të Konventës se, gjatësia e periudhës së burgimit të tij në pritje të gjykimit ishte i tepërt. ... Neni 5 § 3 ... parashikon si më poshtë:
“3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet... dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër...
...
102. Gjykata vëren se ndalimi i kërkuesit, për qëllimet e nenit 5 § 3 të Konventës, filloi më 30 shtator 1995 kur ai ishte arrestuar dhe vazhdoi deri kur u dënua nga gjykata më 17 tetor 1997. Nga 17 tetori 1997 deri më 12 mars 1998 kur Gjykata e Kasacionit rrëzoi vendimin e dënimit të tij, ai ishte i burgosur " pas një dënimit të dhënë nga një gjykatë kompetente", brenda kuptimit të nenit 5 § 1 (a) dhe, për rrjedhojë, kjo periudhë e burgimit të tij bie jashtë fushës së veprimit të nenit 5 § 3 (shih Solmaz kundër Turqisë, nr. 27561/02, § 34, ECHR 2007-II (ekstrakte) dhe çështjeve të cituara aty). Nga 12 marsi 1998 deri në lirimin e tij me kusht më 10 tetor 2000, kërkuesi ishte përsëri në paraburgim për qëllimet e nenit 5 § 3 të Konventës. Kështu, në total kërkuesi kaloi katër vjet, shtatë muaj dhe pesëmbëdhjetë ditë si i paraburgosur.
...
B. Themeli
1. Neni 5 § 3 i Konventës
106. Qeveria argumentoi se kishte një interes publik të mirëfilltë për vazhdimin e privimit të lirisë të kërkuesit, i cili akuzohej për një vepër të rëndë. Ka pasur gjithashtu një rrezik të lartë për arratisje nga ana e tij apo shkatërrimin e provave kundër tij.
107. Kërkuesi mbështeste të njëjtat pretendime.
108. Gjykata vëren se, Qeveria përtej argumentit se ndalimi i kërkuesit ishte i justifikuar për shkak të veprës penale për të cilën akuzohej, nuk sillte argumente lidhur me marrjen në konsideratë të metodave alternative dhe se heqja e lirisë së tij ishte përdorur vetëm si një masë e fundit, në përputhje me detyrimet e saj sipas së drejtës së brendshme dhe një sërë konventash ndërkombëtare (shih për shembull Nart kundër Turqisë, nr. 20817/04, § 22, 6 Maj 2008). As ka ndonjë dokumentet në dosje për të treguar se gjykata, e cila ka vendosur vazhdimin e mbajtjes së kërkuesit në burg në shumë raste, të ketë shfaqur ndonjë shqetësim në lidhje me kohëzgjatjen e ndalimit të kërkuesit. Në të vërtetë, mungesa e një shqetësimi të tillë nga autoritetet kombëtare në Turqi për sa i përket ndalimit të miturve është e dukshme edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare të cituar më lart (paragrafët 61-64).
109. Në së paku tri vendime në lidhje me Turqinë, Gjykata ka shprehur dyshimet e saj në lidhje me praktikën e mbajtjes së fëmijëve në paraburgim (shih Selcuk kundër Turqisë, nr. 21768/02, § 35, 10 janar 2006; Koşti dhe të Tjerët kundër Turqisë, nr. 74321/01, § 30, 3 maj 2007; dhe Nart kundër Turqisë, të cituar më lart, § 34) dhe gjetur shkelje të nenit 5 § 3 të Konventës për periudha shumë më të shkurtra se ajo që kërkuesi kishte kaluar në burg në çështjen aktuale. Për shembull, në Selcuk kërkuesi kishte kaluar katër muaj në paraburgim kur ai ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe në NART kërkuesi kishte kaluar dyzet e tetë ditë në paraburgim, kur ai ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Në çështjen në fjalë, kërkuesit iu privuar liria që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare dhe u mbajt në paraburgim për një periudhë më shumë se katër vjet e gjysmë.
110. Në dritën e sa më sipër, Gjykata vlerëson se kohëzgjatja e paraburgimit të kërkuesit ishte i tepërt dhe në kundërshtim me nenin 5 § 3 të Konventës.
...
III. PRETENDIM PËR SHKELJE TË NENIN 6 TË KONVENTËS
...
116. ... Pjesët përkatëse të nenit 6 të Konventës parashikojnë si më poshtë:
“1. Në vendimin për ... bazueshmërinë e çdo akuza penale kundër tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht... brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme...
2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.
3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
(a) të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;
(b) t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;
(c) të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
...”
...
B. Themeli
119. Kërkuesi parashtroi se, në kohën e arrestimit të tij ai kishte qenë vetëm 15 vjeç, dhe se ai kishte qëndruar në arrest policor për një periudhë prej 13 ditësh dhe atje ishte pyetur pa praninë e një avokati. Ai, më pas ishte gjykuar për një vepër që dënohej me vdekje dhe stabiliteti i tij mendor ishte përkeqësuar me kalimin e kohës. Ai nuk kishte qenë në gjendje të merrte pjesë në një numër të madh të seancave për shkak të lëndimeve si rrjedhojë e përpjekjeve të tij për vetëvrasje dhe për shkak të problemeve të tij psikologjike. Ai nuk kishte pasur ndihmën e një avokati apo një psikologu për të përballuar një gjykim të tillë të vështirë dhe nuk i ishte dhënë mundësi për të shqyrtuar çështjen apo të sillte dëshmi në favor të tij.
120. Në lidhje me sa më sipër, dhe duke iu referuar vendimeve në rastet e T. kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC] (nr. 24724/94, 16 Dhjetor 1999) dhe V. kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC] (nr. 24888/94, ECHR 1999-IX), kërkuesi pretendoi se ai ishte privuar nga e drejta për të marrë pjesë në mënyrë efektive në procesin gjyqësor kundër tij.
121. Qeveria parashtroi se policia e kishte informuar kërkuesin për akuzat kundër tij dhe të drejtave të tij. Për më tepër, ai kishte përfituar nga e drejta për ndihmën nga një përfaqësues ligjore që prej fillimit të procedurës.
122. Gjykata vëren se, në një numër të ankimeve kundër Turqisë lidhur me pretendimin e mungesës së pavarësisë dhe paanshmërisë të Gjykatave të Sigurisë së Shtetit, Gjykata e ka kufizuar shqyrtimin e saj vetëm lidhur me atë aspekt, duke mos e gjykuar të nevojshme shqyrtimin e pretendimeve të e tjera në lidhje me drejtësinë e procedurave të kundërshtuara (shih, ndër të tjera, Ergin kundër Turqisë (Nr. 6), nr. 47533/99, § 55, 4 maj 2006). Megjithatë, në çështjen konkrete, Gjykata konsideron e të nevojshme ta lërë mënjanë këtë qëndrim të saj të mirë-analizuar, sepse rrethanat veçanërisht të rënda të këtij ankimi paraqesin probleme urgjente lidhur me pjesëmarrjen efektive të një të mituri në procesin gjyqësor ndaj tij dhe të drejtën e tij për ndihmë ligjore.
123. Gjykata rithekson se e drejta e një të akuzuari, sipas nenit 6 të Konventës, për të marrë pjesë në mënyrë efektive në procesin penal ndaj tij ose ndaj saj në përgjithësi përfshin jo vetëm të drejtën për të qenë i pranishëm, por edhe për të dëgjuar dhe ndjekur procedurat. Këto të drejta janë të rrënjosura në nocionin e procedurave gjyqësore bazuar në parimin e kundërshtueshmërisë dhe mund të rrjedhin nga garancitë e përfshira, në veçanti, në nën-paragrafin (c) të paragrafit 3 të nenit 6 - " të mbrohet vetë".
124. "Pjesëmarrja efektive" në këtë kontekst presupozon se i akuzuari ka një kuptim të gjerë të natyrës së procesit gjyqësor dhe me çfarë po përballet, duke përfshirë rëndësinë e ndonjë dënim që mund t’i jepet (shih, më së fundi, Timergaliyev kundër Rusisë, nr. 40631/02, § 51, 14 tetor 2008, si dhe rastet e cituara aty). Gjithashtu kërkon që ai ose ajo, nëse është e nevojshme me ndihmën, për shembull, të një përkthyesi, avokati, punonjësi social apo miku, të jetë në gjendje të kuptojnë thelbin e përgjithshëm të asaj që thuhet në gjykim. I pandehuri duhet të ketë mundësi të ndjekë atë që thuhet nga dëshmitarët e palës së akuzës dhe, nëse është i përfaqësuar, t’i shpjegojë mbrojtësit e tij ose të saj versionin e ngjarjeve, të nxjerr në pah ndonjë deklaratë me të cilën ai ose ajo nuk pajtohet dhe të vërë gjykatën në dijeni të fakteve për mbrojtjen e tij ose të saj (shih Stanford kundër Mbretërisë së Bashkuar, vendim i datës 23 shkurt 1994, Seria A nr. 282-A, § 30).
125. Kërkuesi në çështjen në fjalë u arrestua më 30 shtator 1995 dhe u akuzua më pas me një vepër për të cilën dënimi i parashikuar ishte ai me vdekje. Pavarësisht moshës së tij shumë të re, legjislacioni i zbatueshëm në atë kohë e pengoi gjykimin e kërkuesit nga një gjykate për të mitur (shih paragrafin 54 më lart) dhe nga ndihma e një avokati të caktuar për të nga Shteti (shih paragrafin 53 më lart).
126. Ai nuk u përfaqësua nga një avokat deri në 18 prill 1996, që do të thotë rreth gjashtë muaj e gjysmë pasi ai u arrestua. Ndërkohe që ai nuk ishte i përfaqësuar ishte marrë në pyetje nga policia, një prokuror dhe një gjyqtar në detyrë, u akuzua, dhe pastaj u morr në pyetje nga gjykata (shih paragrafët 7, 11 dhe 13 16-17, shih gjithashtu Salduz kundër Turqisë [GC], nr. 36391/02, §§ 50-63, 27 nëntor 2008 në lidhje me mungesën e përfaqësimit ligjor për të miturit të mbajtur në arrest policor).
127. Katërmbëdhjetë seanca janë mbajtur gjatë gjykimit të parë dhe 16 në rigjykim. Kërkuesi nuk kishte marrë pjesë në të paktën 14 prej këtyre seancave. Ai pretendonte se, mospjesëmarrja e tij kishte ardhur si rezultat i problemeve të tij shëndetësore. Ky pretendim, i cili mbështetej nga dëshmitë e raporteve mjekësore (shih paragrafët 32-33 dhe 36 38 më sipër), nuk u kundërshtua nga Qeveria. Për më tepër, siç vuri në dukje më sipër, gjykata nuk u shqetësua aspak në lidhje me mungesat e kërkuesit në seancat gjyqësore dhe as mori masat për të siguruar pjesëmarrjen e tij.
128. Në këto rrethana Gjykata vëren se kërkuesi nuk ishte pasur mundësi të merrte pjesë në mënyrë efektive në gjykim. Për më tepër, për arsyet e përcaktuara më poshtë, Gjykata çmon se, pamundësia e kërkuesit për të marrë pjesë në gjyqin e tij nuk kompensohej nga fakti se ai ishte përfaqësuar nga një avokat nga 18 prill 1996 e në vazhdim (krahaso, Stanford, cituar më lart, § 30).
129. Avokatja, e cila deklaroi gjatë seancës së tretë, të mbajtur më 18 prill 1996, se do ta përfaqësonte kërkuesin në vazhdim, nuk mori pjesë në 17 nga 25 seancat. Në fakt, gjatë procesit të rigjykimit, kjo avokate ishte e pranishme vetëm në një nga seancat, e mbajtur më 18 mars 1999. Gjatë fazave të rëndësishme përfundimtare të rigjykimit, nga 18 mars 1999 deri më 10 tetor 2002 kur kërkuesi u përfaqësua nga Znj. Avcı (shih paragrafin 39 më lart) ai ishte krejtësisht pa asnjë ndihmë juridike.
130. Në këtë pikë Gjykata rithekson jurisprudencën e saj sipas së cilës Shteti normalisht nuk është përgjegjës për veprimet apo vendimet e avokatit të një personi të akuzuar (shih Stanford, cituar më lart, § 28), sepse sjellja e palës mbrojtjes është në thelb një çështje ndërmjet të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, qoftë i emëruar sipas një skeme të ndihmës ligjore ose të financuar privatisht (shih Czekalla kundër Portugalinë, nr. 38830/97, § 60, ECHR 2002-VIII;.. shih gjithashtu Bogumil kundër Portugalisë, nr. 35228 / 03, § 46, 7 tetor 2008). Megjithatë, në rast kur mbrojtësi i të akuzuarit, i caktuar në bazë të skemës së ndihmës ligjore dështon të përmbushë detyrimin e tij për të siguruar përfaqësim efektiv, neni 6 § 3 (c) i Konventës kërkon ndërhyrjen nga autoritetet kombëtare (ibid).
131. Në çështjen konkrete, avokati që përfaqësonte kërkuesin nuk ishte emëruar në bazë të skemës së ndihmës ligjore. Megjithatë, Gjykata konsideron se mosha e re e kërkuesit, serioziteti i veprave penale për të cilat akuzohej, pohimet dukshëm kontradiktore kundra tij të dhëna nga policia dhe një dëshmitar i prokurorisë (shih paragrafët 8, 18, 28 dhe 29 më lart), dështimi i qartë i avokates së tij për ta përfaqësuar atë siç duhej dhe, në fund, mungesat e tij të shumta në seanca, duhet të kishin çuar gjykatën të vlerësonte në mënyre të menjëhershme sigurimin e një përfaqësim të duhur ligjor. Ndërkohë, vetë gjykata ka detyrimin t’i caktojë të akuzuarit një përfaqësues ligjor "kur interesat e drejtësisë e kërkojnë" (shih Vaudelle kundër Francës, nr. 35683/97, § 59, ECHR 2001-I).
132. Gjykata mori në shqyrtim tërësinë e procedurës penale kundër kërkuesit. Ajo pohon se mangësitë e vena në pah më sipër, duke përfshirë në veçanti mungesën de facto të ndihmës ligjore gjatë pjesës më të madhe të procesit, përkeqësuan pasojat e paaftësisë së kërkuesit për të marrë pjesë në mënyrë efektive në procesin e tij gjyqësor dhe shkelnin të drejtën e tij për një proces të rregullt gjyqësor.
133. Rrjedhimisht, ka shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës i shqyrtuar në lidhje me Nenin 6 § 3 (c).
...
V. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
136. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
137. Kërkuesi parashtroi se, në kohën para arrestimit të tij, ai ishte duke punuar dhe fitonte rreth 200 euro në muaj. Si rezultat i arrestimit të tij dhe ndalimit të tij në burg, ai nuk ishte penguar të punonte për një periudhë prej pesë vjetësh dhe një muaj. Kështu, fitimi i munguar, së bashku me interesin, arrinte në 32000 euro. Ai e pretendoi këtë shumë për dëmin material që i ishte shkaktuar atij.
138. Kërkuesi, gjithashtu pretendoi 103000 euro për demin jo material
139. Qeveria i kundërshtoi pretendimet.
140. Gjykata nuk vëren asnjë lidhje shkakësore midis shkeljeve të konstatuara dhe dëmit material të pretenduar, prandaj e refuzon këtë pretendim. Megjithatë, duke pasur parasysh rrethana veçanërisht të rënda të çështjes në fjalë dhe natyrën e shkeljeve të shumta të gjetura, Gjykata çmon të arsyeshme të japë për kërkuesin shumën 45000 euro në lidhje me dëmin jo material.
...
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI:
1. Deklaron kërkesën të pranueshme;
2. Vendos se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës;
3. Vendos se ka pasur shkelje të nenit 5 § 3 të Konventës;
...
5. Vendos se ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës i shqyrtuar në lidhje me nenin 6 § 3 (c);
...
7. Vendos:
(a) Se Shteti i paditur, duhet t’u paguaje kërkuesve së bashku, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi bëhet përfundimtar, në pajtim me Nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme, të cilat duhen konvertuar në monedhën vendase të Shtetit të paditur, në normën e zbatueshme në datën e shlyerjes:
(i) 45000 (dyzet e pesë mijë euro), plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme, për dëmin jo material,
(ii) 4150 (katër mijë e njëqind e pesëdhjetë euro), plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme për kërkuesin, për kostot dhe shpenzimet;
(b) Se nga mbarimi i afatit tremujor deri në ditën e pagesës, do të zbatohet interesi i thjeshte mbi shumën e mësipërme, në një përqindje të barabarte me përqindjen ditore të kreditimit nga Banka Qendrore Evropiane, gjatë periudhës se mospagimit, plus tre pikë përqindjeje;
8. Hedh poshtë pjesën e mbetur të pretendimeve të kërkuesve për shpërblim të drejtë.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 20 janar 2009, sipas nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Sally DolléFrançoise Tulkens
KancelarePresident
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo fitimprurëse me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime fitimprurëse, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] Partia e Punës së Kurdëve, organizatë ilegale.
Full & Egal Universal Law Academy