© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA HALDIMANN DHE TË TJERË kundër ZVICRËS
(Kërkesë no 21830/09)
VENDIM
STRASBURG
24 shkurt 2015
Ky vendim do të bëhet përfundimtar në kushtet e përcaktuara në nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund të pësojë përmirësime vetëm në formë.
Në çështjen Haldimann dhe të tjerë kundër Zvicrës
Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut (seksioni i dytë), që mblidhet në një dhomë të përbërë nga :
Işıl Karakaş, kryetare,
András Sajó,
Nebojša Vučinić,
Helen Keller,
Paul Lemmens,
Egidijus Kūris,
Robert Spano, gjyqtarë,
dhe Stanley Naismith, sekretar i seksionit,
Pasi ka diskutuar në dhomën e këshillit në 20 janar 2015,
Jep vendimin e mëposhtëm, të miratuar në këtë datë :
PROCEDURA
1. Çështja nis me një kërkesë (no 21830/09) drejtuar kundër Konfederatës së Zvicrës, katër shtetas të së cilës Zotërinjtë Ulrich Mathias Haldimann (« kërkuesi i parë »), Hansjörg Utz (« kërkuesi i dytë »), Zonjat Monika Annemarie Balmer (« kërkuesja e tretë ») dhe Fiona Ruth Strebel (« kërkuesja e katërt »), janë paraqitur para Gjykatës në 3 prill 2009 bazuar në nenin 34 të Konventës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesit janë përfaqësuar nga avokati Mayr von Baldegg, avokat në Lucerne. Qeveria zviceriane (« Qeveria ») është përfaqësuar nga agjenti i saj zëvendësues, M. Adrian Scheidegger, i njësisë e Drejta evropiane dhe mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut të Zyrës Federale të Drejtësisë.
3. Kërkuesit pretendojnë se janë viktima të një cenimi të së drejtës së tyre të lirisë së shprehjes të mbrojtur nga neni 10 i Konventës.
4. Në 23 nëntor 2010, kërkesa i është përcjellë Qeverisë.
5. Media Legal Defence Initiative (MLDI) është lejuar të ndërhyjë në procedurën e shkruar (neni36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 3 i rregullores së Gjykatës)
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E RASTIT
6. Kërkuesit kanë lindur respektivisht në 1953, 1950, 1969 dhe 1969 dhe banojnë në Uster, Zürich, Bäretswil dhe Nussbaumen.
7. Faktet e çështjes, ashtu si janë paraqitur nga kërkuesit, mund të përmblidhen si më poshtë :
8. Në vijim të raporteve vjetore të avokatit të popullit të kantonit të Zyrihut për sigurimet private dhe letrat e mara nga telespektatorët përmes redaksisë së « Kassensturz », një emision javor i mbrojtjes së konsumatorëve i transmetuar nga televizioni i Zvicrës gjermanofone (SF DRS) qysh prej shumë vjetësh, dhe që shprehin pakënaqësinë e tyre kundrejt agjentëve të sigurimeve duke vënë theksin te vlerësimet e rrumbullakosura që bënin në kuadrin e aktiviteteve të tyre, kërkuesja e tretë, redaktorja e këtij emisioni, përgatiti një emision mbi praktikat në fushën e shitjeve të produkteve të sigurimit të jetës.
9. Ajo ra dakord me redaktorin përgjegjës për emisionin (kërkuesi i dytë) dhe me kryeredaktorin e SF DRS (kërkuesi i parë), të regjistronte bisedat midis klientëve dhe agjentëve me kamera të fshehtë, për të provuar mangësitë e këtyre të fundit. Ai vendosi t’i regjistronte bisedat në një apartament privat, pastaj t’i komentonte nga një specialist i sigurimeve.
10. Kërkuesja e katërt, gazetare e SF DRS, ra dakord për një bisedë me agjentin e sigurimeve të ndërmarrjes X, bisedë që u zhvillua në 26 shkurt 2003. Ajo pretendoi se ishte një kliente që interesohej për nënshkrimin e një kontrate për sigurim të jetës. Në dhomën ku duhej të bëhej biseda u instaluan dy kamera të fshehta audi-vizuale (Lipstickkameras), që e transmetuan regjistrimin e bisedës në një dhomë ngjitur ku ishte kërkuesja e tretë dhe specialisti i sigurimeve. Një kameraman dhe një teknike gjendeshin gjithashtu në këtë dhomë, të ngarkuar për të regjistruar vlerësimin e bisedës nga eksperti.
11. Kur mbaroi biseda, kërkuesja e tretë u fut në dhomë dhe u paraqit si redaktorja e « Kassensturz », duke i shpjeguar agjentit të sigurimeve se biseda ishte regjistruar. Agjenti iu përgjigj se e priste këtë gjë (« Das habe ich gedacht »). Ajo i tha se ai kishte bërë gabime të rënda gjatë bisedës dhe e ftoi të jepte mendimin e tij, gjë që ai e refuzoi.
12. Më pas, kërkuesi i parë dhe i dytë vendosën ta transmetojnë pjesërisht bisedën e regjistruar në një nga emisionet e ardhshme të « Kassensturz ». Ata i propozuan ndërmarrjes X të pozicionohej lidhur me bisedën dhe kritikën e shprehur dhe e siguruan se zëri dhe fytyra e agjentit do të maskohej dhe nuk do të ishin të dallueshëm. Në fakt, kërkuesit e mbuluan fytyrën e agjentit në mënyrë të tillë që vetëm ngjyra e flokëve dhe e fytyrës si dhe veshjet mund të dalloheshin ende pas këtij transformimi të figurës së pikselizuar. Edhe zëri i tij ishte ndryshuar.
13. Në 3 mars 2003, agjenti depozitoi një padi civile pranë gjykatës së rrethit Zyrih, duke synuar të pengonte transmetimin e regjistrimit të kontestuar. Kjo padi u rrëzua nga një vendim i 24 marsit 2003.
14. Në 25 mars 2003, pjesë të bisedës së 26 shkurtit u transmetuan, me fytyrë dhe zë të ndryshuar ashtu si ishte parashikuar. Një natë më parë ishte rrëzuar kërkesa për të marrë masa të përkohshme që synonin mbrojtjen e interesave të agjentit të sigurimeve.
15. Në 29 gusht 2006, gjyqtari i vetëm në fushën penale në rrethin e Dielsdorfit (kanton i Zyrihut) i çliroi tre kërkuesit e parë nga dyshimet e përgjimit dhe regjistrimit të bisedave të personave të tjerëve sipas nenit 79bis, paragrafet 1 dhe 2 të kodit penal, dhe personin e katërt nga dyshimet për regjistrim të paautorizuar sipas nenit 179ter, paragrafi i parë i kodit penal.
16. Si Prokurori i Përgjithshëm (Oberstaatsanëalt) i kantonit të Zyrihut ashtu edhe agjenti i sigurimeve, në cilësinë e personit të cenuar e apeluan vendimin e 29 gushtit 2006.
17. Me një vendim të 5 nëntorit 2007, gjykata e lartë (Obergericht) e kantonit të Zyrihut i dënoi të tre kërkuesit e parë sepse kishin regjistruar biseda të personave të tjerë në bazë të nenit 179 bis paragrafi 1 dhe 2 i kodit penal dhe për shkelje të domenit sekret ose të domenit privat me anë të një aparati video sipas nenit 179 quater, paragrafi 1 dhe 2 i kodit penal. Kërkuesja e katërt u dënua për regjistrim të paautorizuar të bisedave sipas nenit 179ter paragrafi 1 i kodit penal dhe për shkelje të domenit sekret ose të domenit privat me anë të një aparati video sipas nenit 179 quater, paragrafi i parë i kodit penal. Tre kërkuesit e parë u dënuan me kusht, me pesëmbëdhjetë ditë- gjobë deri në shumën 350 franga zvicerane (CHF), 200 CHF dhe 100 CHF, respektivisht, ndërsa kërkuesja e katërt u dënua me 5 ditë-gjobë deri në 30 CHF.
18. Kërkuesit u ankuan së bashku në Gjykatën federale kundër dënimeve të tyre, duke iu referuar në mënyrë të veçantë të drejtës së tyre për liri të shprehjes sipas nenit 10 të Konventës. Sipas tyre përdorimi i metodës së kontestuar ishte i domosdoshëm për të arritur qëllimin e caktuar.
19. Me një vendim të 7 tetorit 2008, njoftuar përfaqësuesit të kërkuesve në 15 tetor 2008, Gjykata federale e pranoi ankimin deri aty ku kishte të bënte me aktakuzën për shkelje të domenit sekret dhe të domenit privat me anë të një aparati video në bazë të nenit 179quater të kodit penal. Ajo çmoi se në këtë rast kishte pasur shkelje të parimit akuzator dhe shkelje të të drejtave të mbrojtjes. Ajo e transferoi çështjen në një instancë më të ulët.
20. Ankimi u rrëzua dhe u konsiderua si çështje e gjykuar për pjesën tjetër. Gjykata federale mendoi se kërkuesit kishin kryer veprime që binin me fushën e zbatimit të nenit 179 bis, paragrafi 1 dhe 2 dhe të nenit 179 ter, paragrafi 1 i Kodit penal dhe e hodhi poshtë justifikimin e dhënë nga kërkuesit. Gjykata e Lartë mendoi se kishte një interes të madh nga publiku që të informohej me praktikat në fushën e sigurimeve që peshonin më shumë se interesat e veçanta në lojë. Megjithatë, Gjykata federale çmoi se kërkuesit mund të kishin zgjedhur mjete të tjera, jo aq cënuese për interesat private të agjentit të sigurimeve, për shembull komente mbi raportet vjetore të avokatit të popullit, intervista punonjësish të këtij të fundit ose klientësh të pakënaqur. Përveç kësaj, në vend që të regjistronin bisedën me kamera të fshehtë, gazetarja mund të kishte mbajtur një proces verbal, edhe nëse vlera e tij bindëse mund të mos kishte qenë aq e fortë. Së fundi, regjistrimi i një rasti të vetëm nuk mjaftonte, sipas Gjykatës federale, për të dhënë tregues të besueshëm mbi problemet e pretenduara. Në këtë fushë, shembujt e këqij ishin gjë e shpeshtë dhe shumë e njohur nga të gjithë. Transmetimi i një rasti të vetëm nuk e lejonte publikun të nxirrte përfundime të përgjithshme që kishin të bënin me cilësinë e këshillave të ofruara nga kompanitë e sigurimeve.
21. Me një vendim të gjykatës së lartë të kantonit të Zyrihut të 24 shkurt 2009, kërkuesit u çliruan nga akuza e shkeljes së domenit sekret dhe të domenit privat me anë të një aparati video në bazë të nenit 179quater të kodit penal. Gjykata pra i zvogëloi pak sanksionet kundër kërkuesve : tre kërkuesit e parë u dënuan respektivisht me sanksione financiare prej dymbëdhjetë ditësh- gjobë me 350 CHF (ose afrësisht 290 euro (EUR)), 200 CHF (ose 160 EUR) dhe 100 CHF (ose afërsisht 160EUR) dhe 100 CHF (ose afërsisht 80 EUR), dita, në vend të katërmbëdhjetë ditë –gjobë dhe kërkuesja e katërt me një dënim katër ditë-gjobë me 30CHF dita në vend të pesë ditë-gjobë me kusht dhe një periudhë prove prej dy vjetësh. Kërkuesit nuk u ankuan në Gjykatën federale kundër këtij vendimi.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
22. Dispozitat përkatëse të kodit penal zvicerian janë të formuluara si më poshtë :
« Neni. 179bis : Përgjim dhe regjistrim i bisedave midis personash të tjerë
Cilido që, pa pëlqimin e të gjithë pjesëmarrësve, do të ketë dëgjuar me anë të një aparati përgjimi ose regjistruar në një aparat një bisedë jopublike midis personave të tjerë,
cilido që do të ketë përfituar ose do t’i ketë bërë të ditur një të treti një fakt që e dinte ose duhej ta mendonte se e kishte mësuar me anë të një shkelje të parashikuar në paragrafin1,
cilido që do të ketë ruajtur ose do ta ketë bërë të shfrytëzueshëm për një të tretë një regjistrim që e dinte ose duhej ta mendonte se e kishte realizuar me anë të një shkeljeje të parashikuar në paragrafin 1, nëse paditet, do të dënohet me heqje lirie më e shumta prej tre vjetësh ose me një dënim me gjobë
Neni. 179ter regjistrim i paautorizuar bisedash
Cilido që, pa pëlqimin e bashkëbiseduesve të tjerë, do të ketë regjistruar në një aparat një bisedë jopublike në të cilën ai merrte pjesë,
cilido që do të ketë ruajtur një regjistrim që e dinte ose duhej ta mendonte se ishte realizuar me anë të një shkeljeje të parashikuar në paragrafin 1, ose do të ketë përfituar prej tij apo do ta ketë bërë të shrytëzueshëm nga një person i tretë , nëse paditet, do të dënohet me heqje lirie për një vit e shumta ose me një dënim me gjobë.
Neni. 179quater : Shkelje e domenit sekret ose e domenit privat me anë të një aparati video
Cilido që, pa pëlqimin e personit të interesuar, do të ketë vëzhguar me një aparat video ose do të ketë regjistruar me një aparat video një fakt që ka të bëjë me domenin sekret të këtij personi ose një fakt që nuk mund të shihet patjetër nga secili dhe që ka të bëjë me fushën personale të këtij të fundit ,
cilido që do të ketë përfituar osei do t’i ketë bërë të ditur një të treti një fakt që e dinte ose duhej ta mendonte se e kishte marrë vesh me anë të një shkeljeje të parashikuar në paragrafin 1,
cilido që do të ketë ruajtur një regjistrim video ose do ta ketë bërë atë të shfrytëzueshëm nga një i tretë, ndërkohë që e dinte se e ka siguruar me anë të një shkelje të parashikuar në paragrafin 1, do të dënohet, nëse paditet, me heqje lirie prej tre vjetësh e shumta ose më një dënim me gjobë. »
23. Fragmentet përkatëse të Rezolutës 1165 (1998) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbi të drejtën e respektimit të jetës private, të miratuar nga Asambleja Parlamentare në 26 qershor 1998, formulohen si më poshtë :
« 10. Pra është e domosdoshme të gjendet mënyra që lejon ushtrimin e ekuilibruar të dy të drejtave themelore, të dyja njëlloj të garantuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut : e drejta për respektim të jetës private dhe e drejta e lirisë së shprehjes. .
11. Asambleja riafirmon rëndësinë e të drejtës së respektimit të jetës private të çdo individi, dhe të lirisë së shprehjes si baza të një shoqërie demokratike. Këto të drejta nuk janë as absolute as në raport hierarkik midis tyre, meqë kanë të njëjtën vlerë.
12. Asambleja nënvizon gjithsesi se e drejta për respektim të jetës private e garantuar nga neni 8 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut duhet të mbrojë individin jo vetëm kundër ndërhyrjes së autoriteteve publike, por edhe kundër ndërhyrjes së individëve ose institucioneve private, përfshi këtu mjetet e kommunikimit masiv.
13. Asambleja mendon se, meqë të gjitha Shtetet anëtare e kanë ratifikuar tashmë Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe nga ana tjetër meqë shumë legjislacione kombëtare përmbajnë dispozita të cilat garantojnë këtë mbrojtje, për rrjedhojë, nuk është e domosdoshme të propozohet miratimi i një konvente të re për të garantuar respektimin e jetës privates. (...) »
PËRSHKRIMI I SË DREJTËS
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 10 TË KONVENTËS
24. Kërkuesit ankohen për shkelje të së drejtës së tyre për liri shprehjeje si parashikohet në nenin 10 të Konventës të formuluar kështu :
« 1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë
për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë
parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që të kërkojnë liçencimin e ndërmarrjeve të transmetimit
kinematografike ose televizive.
2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre
formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme
në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike,
për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen
e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të
garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor. »
25. Qeveria e kundërshton këtë tezë.
A. Mbi pranueshmërinë
26. Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dukshëm e pabazuar nga këndvështrimi i nenit 35 § 3 a) të Konventës. Gjykata madje nënvizon se ajo nuk has asnjë arsye tjetër për mospranueshmëri. Pra është e udhës që kërkesa të deklarohet e pranueshme.
B. Mbi themelin
1. Tezat e palëve
a) Kërkuesit
27. Kërkuesit pretendojnë se nenet 179bis dhe 179ter të kodit penal nuk janë aq sa duhet të parashikueshëm në efektet e tyre. Sipas tyre, përdorimi i kamerës së fshehtë nuk është i rregulluar qartasi askund dhe jurisprudenca e gjykatave dhe rekomandimet e Këshillit zviceran të shtypit janë të paqarta. Gjykata federale përpiqet të censurojë përdorimin e mbledhjes së të dhënave dhe të kamerës së fshehtë në mënyre absolute.
28. Kërkuesit shtojnë se nenet 179bis dhe 179ter të kodit penal nuk mbrojnë paanshmërinë e komunikimit midis individëve, as të drejtat e personalitetit por konfidencialitetin e komunikimit në sferën private. Në këtë rast, biseda është zhvilluar në një apartament që nuk i përket agjentit të sigurimeve dhe gjatë orarit të tij të punës. Përveç kësaj, nuk ekzistonte asnjë lidhje e veçantë besimi midis gazetares dhe agjentit të sigurimeve. Sipas tyre nuk bëhet fjalë për mbrojtje të sferës private dhe intime të agjentit. Fakti që zëri dhe figura e agjentit u maskuan e ndryshon plotësisht situatën.
29. Përveç kësaj ata pretendojnë se i kanë respektuar detyrimet dhe përgjegjësitë që iu takojnë në këtë rast. Në vendimin e tij no 51/2007 Këshilli zviceran i shtypit ka vendosur se investigimet e fshehta lejohen nëse informacionet kanë interes publik dhe nëse ato nuk mund të merren me ndonjë mënyrë tjetër. Tema e emisionit që synonte të tërhiqte vëmendjen e publikut mbi mosfunksionimin e sigurimeve private në Zvicër paraqiste një interes të lartë publik. Përveç kësaj, gazetarët janë të lirë të zgjedhin mjetet për të kryer investigimet e tyre. Paraqitja realiste ishte e domosdoshme në këtë situatë ; nëse provat do të ishin falsifikuar, agjenti i sigurimeve do të kishte fituar procesin në kuadrin e dëmshpërbilimit të viktimës. Efekti shkurajues është shumë i rëndësishëm po të merret parasysh karakteri absolut i zgjidhjes nga Gjykata federale. Agjenti i sigurimeve ka pasur mundësinë të shprehet mbi kritikën e kërkuesve pas regjistrimit dhe para emisionit, gjë që ai e ka refuzuar.
b) Qeveria
30. Qeveria nuk e kundërshton faktin se dënimet e kontestuara konsiderohen si një « ndërhyrje » në ushtrimin e të drejtës së shprehjes nga ana e të interesuarve. Përkundrazi, sipas saj, kjo ndërhyrje parashikohej nga një ligj i qartë dhe i parashikueshëm. Neni 179 bis mbron bisedën efektive dhe neni 179 ter mbron fjalën spontane. Si sfera private dhe intime ashtu edhe e drejta për imazhin dhe fjalën mbrohen dhe i korrespondojnë qëllimit legjitim për mbrojtjen e reputacionit dhe të drejatve të tjetrit.
31. Fakti që zëri dhe fytyra e agjentit të sigurimeve u maskuan nuk ndryshon asgjë, për mendimin e Qeverisë, sepse ligji e dënon regjistrimin dhe transmetimin si të tillë. Për më tepër, ashtu si e ka vendosur Gjykata federale, nuk përjashtohet mundësia që të afërm ose bashkëpunues të agjentit ta njohin dhe respektivisht ta identifikojnë atë. Qeveria pretendon madje se nuk mund të nxirret asnjë pasojë nga rezultati i procedurës civile kombëtare e cila është e pavarur nga procedura penale dhe i përgjigjet një logjike tjetër.
32. Për sa i përket proporcionalitetit të masës, Gjykata federale ka çmuar se përdorimi i kameras së fshehtë paraqet ngjashmëri me metodat e autoriteteve të investigimit sekret ose survejimit të korrespondencës nga posta dhe telekomunikacioni. Këto metoda janë të pranueshme vetëm në rrethana shumë të kufizuara dhe për shkelje shumë të rënda. Gjykata federale është shprehur in concreto në rastin e çështjes dhe jo në mënyrë të përgjithshme. Ajo ka pranuar se ekziston një interes i konsiderueshëm i publikut për t’u informuar për mangësitë eventuale në fushën e shitjeve të sigurimeve të jetës por, në këtë rast, reportazhi vetëm sa ilustroi probleme tashmë të njohura pa zbuluar ndonjë gjë të re nga këto probleme. Gazetari mund ta kishte transkriptuar bisedën pa e regjistruar ose mund të kishte përdorur mjete të tjera të ligjshme, nuk i takonte atij të mblidhte prova të pakundërshtueshme. Qeveria pretendon përveç kësaj se kërkuesit, si gazetarë me përvojë, nuk mund të mos e dinin se sjellja e dënueshme i rrezikonte për një sanksion që në këtë rast nuk ishte i paarsyeshëm.
c) Media Legal Defence Initiative (MLDI), palë e tretë
33. MLDI, si palë e tretë ndërhyrëse, nënvizon rëndësinë e mjeteve të fshehta të investigimit për hartimin e disa tipa reportazhesh, veçanërisht kur është e domosdoshme të shmanget imazhi i zbukuruar i ndërmarrrjeve të fuqishme dhe të sofistikuara ose për të hyrë në një botë të fshehtë ku aksesi është i kufizuar. Të përdorur me etikë dhe për një qëllim të caktuar, këto janë mjete që duhen përdorur vetëm si zgidhje e fundit e që lejojnë të zbulohen praktika të cilat nuk mund të identifikohen në mënyrë realiste nga mjete të tjera. Ka një ndryshim në vlerësim kur regjistrimi zhvillohet jashtë banesës ose zyrës së personit të regjistruar. MKDI nënvizon se shumë shtete evropiane e pranojnë përdorimin e mjeteve sektrete të investigimit duke e mbajtur nën kontroll.
2. Vlerësimi i Gjykatës
34. Palët nuk e kundërshtojnë faktin se dënimi i kërkuesve përbën një « ndërhyrje të autoriteteve publike » në të drejtën e tyre për liri shprehjeje.
35. Një ndërhyrje e tillë përbën shkelje të Konventës nëse nuk plotëson kërkesat e paragrafit 2 të nenit 10. Pra, duhet përcaktuar nëse ajo ishte «e parashikuar nga ligji », e frymëzuar nga një apo shumë qëllime legjitime sipas këtij paragrafi dhe « e domosdoshme, në një shoqëri demokratike », për t’u përmbushur. E parashikuar nga ligji
36. Gjykata nënvizon jurisprudencën e saj sipas së cilës fjalët « i parashikuar nga ligji » jo vetëm imponojnë që masa e kundërshtuar të ketë një bazë në të drejtën e brendshme, por synojnë gjithashtu cilësinë e ligjit në fjalë : kështu, ky i fundit duhe të jetë i kuptueshëm nga palët ndërgjyqëse dhe i parashikueshëm në pasojat e tij (shih, ndër shumë të tjera, Rotaru kundër Rumanisë [GC], no 28341/95, § 52, GjEDNj 2000‑V ;Vgt Verein gegen Tierfabriken kundër Zvicrës, no 24699/94, § 52, GjEDNj 2001‑VI ;Gawęda kundër Polonisë, no 26229/95, § 39, GjEDNj 2002‑II dhe Maestri kundër Italisë[GC], no 39748/98, § 30, GjEDNj 2004-I). Gjithsesi, u përket autoriteteve kombëtare, veçanërisht gjykatave, të interpretojnë dhe të zbatojnë të drejtën e brendshme (Kruslin kundër Francës, 24 prill 1990, § 29, seria A no 176-A dhe Kopp kundër Zvicrës, 25 mars 1998, § 59, Përmbledhje e vendimeve 1998-II).
37. Kur bëhet fjalë për rrethanat e rastit, nuk kundërshtohet fakti se dënimi i kërkuesve bazohet në një tekst të kuptueshëm, pra, në nenet 179 bis dhe 179 ter të kodit penal zviceran. Përkundrazi, kërkuesit pretendojnë se normat ligjore nuk janë të parashikueshme në efektet e tyre sepse përdorimi i kamerës së fshehtë nuk dënohet shprehimisht askund.
38. Gjykata konstaton se divergjenca në interpretim e palëve për sa i përket këtyre dy neneve të kodit penal zviceran lidhet vetëm me qëllimshmërinë e këtyre masave penale, domethënë elementët e jetës private dhe të personalitetit që ato kërkojnë të mbrojnë. Sidoqoftë, Gjykata nënvizon se kërkuesit nuk pretendojnë se lloji i sjelljes së dënueshme, ashtu si përshkruhet në nenet në fjalë, nuk ishte i qartë.
39. Kështu Gjykata çmon se kërkuesit, gazetarët dhe redaktorët, nuk mund të mos e dinin, si profesionistë të emisioneve televizive, që duke përdorur një kamera të fshehtë, pa pëlqimin e një personi objekt i një reportazhi dhe pa autorizimin për të transmetuar këtë reportazh, rrezikonin të merrnin një sanksion penal.
40. Si përfundim, Gjykata arriti në përfundimin se ndërhyrja e kontestuar ishte « parashikuar nga ligji » sipas paragrafit 2 të nenit 10 të Konventës.
b) Qëllimi legjitim
41. Qeveria pretendon se dënimi i kërkuesve synonte qëllimin legjitim për të mbrojtur reputacionin dhe të drejtat e tjetrit, në këtë rast të agjentit të sigurimeve. Kërkuesit pretendojnë se ndërhyrja nuk mund të kishte një qëllim të tillë përderisa agjentit, të cilit ia maskuan edhe fytyrën edhe zërin, nuk i janë cenuar të drejtat dhe reputacioni.
42. Gjykata konstaton se imazhi dhe zëri i agjentit janë regjistruar pa dijeninë e tij pastaj janë transmetuar në kundërshtim me mendimin e tij, sigurisht në një formë anonime, por në një mënyrë të dizfavorshme duke nxjerrë në pah këshillat profesionale të gabuara që përhapte agjenti, në një emision televiziv me audiencë të madhe.
43. Gjykata çmon, pra, se masa e kontestuar mund të synojë mbrojtjen e të drejtave dhe të reputacionit të tjetrit, në këtë rast të drejtën e agjentit për të ruajtur imazhin e tij, fjalën si dhe reputacionin.
c) E domosdoshme në një shoqëri demokratike
i. Parimet e përgjithshme
44. Liria e shprehjes përbën një nga bazat kryesore të një shoqërie demokratike, një nga kushtet thelbësore të përparimit të saj dhe të zhvillimit të gjithsecilit. Me përjashtim të paragrafit 2 të nenit 10, ajo vlen jo vetëm për « informacionet » ose « idetë » e pritura mirë ose të konsideruara si të padëmshme ose pa interes, por edhe për ato që lëndojnë, godasin ose shqetësojnë : kështu e kërkojnë pluralizmi, toleranca dhe fryma e hapjes pa të cilat nuk ka « shoqëri demokratike ». Ashtu siç e sanksionon neni 10, liria e shprehjes është subjekt përjashtimesh që kërkojnë gjithsesi një interpretim të ngushtë, dhe nevoja për ta kufizuar atë duhet të vendoset në mënyrë bindëse (voir, ndër të tjera, Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 dhjetor 1976, § 49, seria A no 24 ; Botimet Plon kundër Francës, no 58148/00, § 42, GjEDNj 2004‑IV ; Lindon, Otchakovsky-Laurens dhe July kundër Francës [GC], nos 21279/02 dhe 36448/02, § 45, GjEDNj 2007‑IV).
45. Gjykata, nga ana tjetër, ka nënvizuar shumë herë rolin kryesor që luan shtypi në një shoqëri demokratike. Nëse shtypi nuk duhet të kalojë disa kufij, përsa i përket sidomos mbrojtjes së reputacionit dhe të drejtave të tjetrit, ai ka për detyrë të paktën të përcjellë, në respekt të detyrave dhe përgjegjësive të tij, informacione dhe ide mbi të gjitha çështjet me interes të përgjithshëm. Funksionit të tij që konsiston në përhapjen e informacioneve dhe ideve mbi çështje të tilla i shtohet e drejta, për publikun, që t’i marrë ato. Nëse do të ishte ndryshe, shtypi nuk do të mund të luante rolin e vet të domosdoshëm si « qen roje » Bladet Tromsø dhe Stensaas kundër Norvegjisë [GC], no 21980/93, §§ 59 dhe 62, GjEDNj 1999‑III, dhe Pedersen e Baadsgaard kundër Danimarkës [GC], no 49017/99, § 71, GjEDNj 2004‑XI). Ndonëse të formuluara së pari për shtypin e shkruar, këto parime zbatohen pa dyshim edhe për mjetet audiovizuale (Jersild kundër Danimarkës, 23 shtator 1994, § 31, seria A no 29).
46. Neni 10 § 2 i Konventës nënvizon se ushtrimi i lirisë së shprehjes përmban « detyrime dhe përgjegjësi », që vlejnë gjithashtu për mediat, edhe kur bëhet fjalë për çështje me një interes të përgjithshëm të madh. Këto detyrime dhe përgjegjësi mund të marrin një interes të veçantë kur rrezikon të cenohet reputacioni i një individi të cituar me emër dhe dëmtohen « të drejtat e tjetrit ». Kështu, duhet të ekzistojnë arsye specifike që të mund t’i çlirosh mediat nga detyrimi që u takon normalisht për të verifikuar deklaratat faktuale shpifëse. Në këtë aspekt, hyjnë veçanërisht në lojë natyra dhe shkalla e akuzës në fjalë dhe çështja se deri në ç’pikë media mund t’i konsiderojë në mënyrë të arsyeshme burimet e saj si të besueshme për sa i përket pretendimeve (Pedersen dhe Baadsgaard, lartcituar, § 78, dhe Tønsbergs Blad A.S. dhe Haukom kundër Norvegjisë, no 510/04, § 89, 1 mars 2007).
47. Ka vend gjithashtu për të nënvizuar se çdo individ, qoftë edhe gazetar, që ushtron lirinë e tij të shprehjes, përmbush « detyrime dhe përgjegjësi » shtrirja e të cilave varet nga situata dhe nga metoda teknike e përdorur (Stoll kundër Zvicrës [GC], no 69698/01, § 102, GjEDNj 2007‑V). Kështu, pavarësisht rolit kryesor që u takon mediave në një shoqëri demokratike, gazetarët në parim nuk mund të çlirohen përmes mbrojtjes që u ofron neni 10, nga detyrimi i tyre për të respektuar ligjet penale të common law. Paragrafi 2 i nenit 10 vendos, nga ana tjetër, kufijtë e ushtrimit të lirisë së shprehjes, që mbeten të vlefshme edhe kur është fjala për të raportuar në shtyp për çështje serioze me interes të përgjithshëm (ibidem, § 102).
48. Në shqyrtimin e domosdoshmërisë së ndërhyrjes në një shoqëri demokratike me qëllim « mbrojtjen e reputacionit ose të të drejtave të tjetrit » , Gjykata mund të arrijë deri sa të verifikojë nëse autoritet kombëtare kanë ruajtur një ekuilibër të drejtë në mbrojtjen e të dyja vlerave të garantuara nga Konventa të cilat në disa çështje mund të shfaqen në konflikt : pra, nga njëra anë, liria e shprehjes ashtu si mbrohet nga neni 10 dhe, nga ana tjetër, e drejta për respektim të jetës private ashtu si garantohet nga dispozitat e nenit 8 (Hachette Filipacchi Associés kundër Francës, no 71111/01, § 43, 14 qershor 2007, dhe MGN Limited kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 39401/04, § 142, 18 janar 2011).
49. Nga ana tjetër, e drejta për mbrojtjen e reputaconit është një e drejtë që, si element i jetës private, ka të bëjë me nenin 8 të Konventës (Chauvy dhe të tjerë kundër Francës, no 64915/01, § 70, GjEDNj 2004‑VI ;Pfeifer kundër Austrisë, no 12556/03, § 49, 15 nëntor 2007 ;Polanco Torres dhe Movilla Polanco kundër Spanjës, no 34147/06, § 40, 21 shtator 2010 dhe Axel Springer AG kundër Gjermanisë [GC], no 39954/08, § 83, 7 shkurt 2012,). Megjithatë, që neni 8 të merret parasysh, sulmi ndaj reputacionit personal duhet të arrijë një farë niveli të rëndësishëm dhe të jetë kryer në mënyrë të tillë që të shkaktojë një dëm për sa i përket gëzimit të së drejtës për respektim të jetës private (A. kundër Norvegjisë, no 28070/06, § 64, 9 prill2009).
50. Në jurisprudencën e mëparshme Gjykatës i është dashur të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me reputacionin personal të presonazheve publike (Axel Springer AG, i lartpërmendur). Ajo thekson se ka vendosur tashmë gjashtë kritere për të analizuar në rastin e vënies në balancë të së drejtës për liri shprehjje dhe të së drejtës për respektim të jetës private : kontributi në një debat me interes të përgjithshëm, fama e personit të vënë në shënjestër dhe objekti i reportazhit, sjellja e mëparshme e personit në fjalë, mënyra e sigurimit të informacioneve dhe vërtetësia e tyre, përmbajtja, forma dhe pasojat e publikimit, si dhe rëndësia e sanksionit të vënë (Axel Springer AG, lartpërmendur, §§ 90-95).
51. Gjykata është shprehur gjithashtu për raste shpifjesh që kanë lidhje me ushtrimin e profesionit të një individi (kur bëhet fjalë për një mjek, Kanellopoulou kundër Greqisë, no 28504/05, 11 tetor 2007 ; kur bëhet fjalë për një drejtor të përgjithshëm të një shoqërie të subvencionuar nga shteti, Tănăsoaica kundër Rumanisë, no 3490/03, 19 qershor 2012; kur bëhet fjalë për magjistratë, Belpietro kundër Italisë, no 43612/10, 24 shtator 2013).
52. Ky rast dallohet nga rastet e mëparshme pasi, nga njëra anë, agjeti i sigurimeve nuk ishte person publik që të gëzonte një reputacion të veçantë, dhe nga ana tjetër reportazhi i kontestuar nuk kërkonte të kritikonte agjentin personalisht, por synonte disa praktika tregtare të zbatuara në gjirin e kategorisë profesionale të cilës ai i përkiste (shih, a contrario, Kanellopoulou, i lartpërmendur). Impakti i reportazhit mbi reputacionin personal të agjentit të sigurimeve, pra, për pasojë ishte i kufizuar dhe Gjykata do të marrë parasysh këtë aspekt të veçantë të çështjes në zbatimin e kritereve që dalin në jurisprudencën e saj.
53. Nga ana tjetër, Gjykata kujton se në sferën e nenit 10 të Konventës, Shtetet kontraktuese disponojnë një hapësirë vlerësimi për të gjykuar mbi domosdoshmërinë dhe shtrirjen e një ndërhyrjeje në lirinë e shprehjes të mbrojtur nga kjo dispozitë (Tammer kundër Estonisë, no 41205/98, § 60, GjEDNj 2001‑I, dhe Pedersen e Baadsgaard, i lartpërmendur, § 68).
54. Në këto çështje si edhe në këtë rast, Gjykata çmon se rezultati i kërkesës në parim nuk mund të ndryshonte pavarësisht se është paraqitur para Gjykatës, bazuar në nenin 10 të Konventës, nga gazetari që ka publikuar artikullin kontestues ose, bazuar në nenin 8 të Konventës, nga individi që ishte objekt i këtij artikulli. Në fakt, këto të drejta meritojnë a priori të respektohen njëlloj (Hachette Filipacchi Associés (ICI PARIS) kundër Francës, no 12268/03, § 41, 23 korrik 2009, Timciuc kundër Rumanisë (vend.), no 28999/03, § 144, 12 tetor 2010, dhe Mosley kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 48009/08, § 111, 10 maj 2011 ; shih gjithashtu pikën 11 të rezolutës së Asamblesë parlamentare, paragrafi 23 më lart). Pra, hapësira vlerësuese në parim do të duhej të ishte e njëjtë në të dyja rastet.
55. Nëse vënia në balancë e dy të drejtave nga autoritetet kombëtare është bërë duke respektuar kriteret e vendosura nga jurisprudenca e Gjykatës, duhen arsye serioze që kjo e fundit ta zëvendësojë mendimin e gjykatave të brendshme me mendimin e saj (Palomo Sánchez dhe të tjerë kundër Spanjës [GC], nos 28955/06, 28957/06, 28959/06 dhe 28964/06, § 57, GjEDNj 2011 dhe MGN Limited, i lartcituar §§ 150 et 155).
ii. Zbatimi në rastin e çështjes
56. Gjykata së pari duhet te vendosë nëse reportazhi në fjalë kishte të bënte me një temë me interes të përgjithshëm. Gjykata vëren menjëherë se tema e reportazhit të realizuar, pra këshillimi i keq nga ana e agjentëve të sigurimeve private, dhe çështja e mbrojtjes së të drejtës së konsumatorëve që rrjedh prej saj, kishin të bënin me një debat që kishte një interes publik shumë të madh.
57. Për Gjykatën, është gjithashtu e rëndësishme të shqyrtojë nëse reportazhi në fjalë mund të ngjallë një debat publik mbi këtë temë (Stoll, i lartpërmendur, § 121). Në këtë aspekt, gjykata federale çmon se nëse tema në vetvete, mund të paraqiste një interes publik, po qe se gjykata do të kërkonte të përcaktonte shtrirjen e fenomenit, reportazhi i kontestuar nuk sillte asnjë element të ri në problematikën e cilësisë së keqe të këshillimit të agjentëve. Përveç kësaj, metoda të tjera, më pak të dëmshme ndaj interesave të agjentit të sigurimeve, do të kishin mundësuar trajtimin e kësaj problematike. Për Gjykatën, ka rëndësi vetëm të dihet nëse reportazhi mund të kontribuonte në debatin me interes të përgjithshëm dhe jo nëse reportazhi e ka arritur apo jo plotësisht objektivin.
58. Gjykata pranon pra se një artikull i tillë trajtonte një temë të rëndësishme me interes të përgjithshëm
59. Gjykata kujton se neni 10 § 2 i Konventës nuk lë fare vend për kufizime të lirisë së shprehjes në fushën e çështjeve me interes të përgjithshëm (Sürek kundër Turqisë (no 1) [GC], no 26682/95, § 61 GjEDNj 1999-IV ; Stoll, i lartcituar, § 106 ; Wingrove kundër Mbretërisë së Bashkuar, 25 nëntor 1996, § 58, Përmbledhje 1996‑V ; Dupuis dhe të tjerë kundër Francës, no 1914/02, § 40, 7 qershor 2007).
60. Sigurisht, ashtu si ka thënë tashmë, Gjykata konstaton se agjenti i filmuar pa dijeninë e tij nuk ishte personazh publik. Ai nuk kishte dhënë pëlqimin për t’u filmuar dhe mund pra « të besonte me arsye për karakterin privat » të kësaj bisede (shih, mutatis mutandis, Halford kundër Mbretërisë së Bashkuar, 25 qershor 1997, §§ 44 dhe 45, Përmbledhje e vendimeve 1997-III dhe Perry kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 63737/00, §§ 36-43, GjEDNj 2003-IX). Megjithatë, reportazhi i kontestuar nuk fokusohej te agjenti si individ por te disa praktika tregtare të zbatuara brenda një kategorie profesionale. Përveç kësaj, biseda nuk ishte zhvilluar në zyrat e agjentit të sigurimeve ose në ndonjë lokal tjetër pune (a contrario et mutatis mutandis,Chappell kundërMbretërisë së Bashkuar, 30 mars 1989, § 51, seria A no 152-A ; Niemietz, i lartcituar, §§ 29-33 ; Funke kundër Francës, 25 shkurt 1993, § 48, seria A no 256-A ; Crémieux kundër Francës, 25 shkurt 1993, § 31, seria A no 256-B ; dhe Miailhe kundër Francës (no 1), 25 shkurt 1993, § 28, seria A no 256-C). Gjykata mendon se cenimi i jetës private të agjentit është më pak i rëndësishme sesa në rastin kur agjenti do të ishte vënë në shenjë si individ dhe ekskluzivisht nga reportazhi.
61. Mënyra e marrjes së informacioneve dhe vërtetësia e tyre luajnë edhe ato një rol të rëndësishëm. Gjykata ka gjykuar tashmë, në fakt, se garancia që neni 10 u ofron gazetarëve, për sa i përket raporteve mbi çështje me interes të përgjithshëm, i nënshtrohet kushtit se të interesuarit veprojnë me qëllim të mirë në bazë të fakteve të sakta dhe japin informacione « të besueshme dhe të sakta » për të respektuar deontologjinë gazetareske (shih, për shembull, Fressoz dhe Roire kundër Francës [GC], no 29183/95, § 54, GjEDNj 1999-I ;Pedersen dhe Baadsgaard, i lartcituar, § 78 ; Stoll, i lartcituar, § 103, dhe Axel Springer AG, i lartcituar, § 93). Gjykata vëren se palët u referohen burimeve të ndryshme, megjithatë ato bien dakord, në thelb, për faktin se përdorimi i kameras së fshehtë nuk ishte e ndaluar në mënyrë absolute në të drejtën e brendshme, por ajo mund të lejohej me kushte strikte (shih respektivisht §§ 29 dhe 32 më lart). Sipas tyre, një përdorim i tillë lejohej vetëm kur ekziston një interes publik i lartë për shpërndarjen e informacioneve dhe për aq kohë sa informacionet e marra nuk mund të sigurohen ndryshe. Gjykata ka vendosur tashmë se tema e reportazhit i përgjigjej një çështjeje me interes të përgjithshëm. Për Gjykatën, në këtë stad, është e rëndësishme analiza e sjelljes së kërkuesve. Në këtë aspekt, kur Gjykata çmon se agjenti i sigurimeve me të drejtë mund të ketë pasur ndjesinë se kërkuesit ia kanë hedhur, sidoqoftë ajo është e mendimit se ata nuk mund t’i qortosh për një sjellje qëllimisht kundër rregullave deontologjike. Këta të fundit në fakt, nuk i kanë injoruar rregullat gazetareske ashtu si përcaktohen nga Këshilli zvicerian i shtypit (shih § 29 më lart) të cilat kufizojnë përdorimin e kamerës së fshehtë por kanë arritur në përfundimin- e gabuar sipas gjykatës së lartë zvicerane – se objekti i reportazhit të tyre duhej t’u lejonte të përdornin kamerën e fshehtë. Gjykata nënvizon se kjo çështje nuk ka arritur unanimitetin në gjirin e vetë gjykatave zvicerane, të cilat në shkallë të parë, i kanë çliruar kërkuesit nga çdo dënim penal. Për rrjedhojë, Gjykata është e mendimit se kërkuesit duhet të përfitojnë nga dyshimi për sa i përket vullnetit të tyre për të respektuar rregullat deontologjike të zbatueshme në rastin e çështjes, kur bëhet fjalë për mënyrën e marrjes së informacioneve.
62. Tani kur bëhet fjalë për faktet e paraqitura, e vërteta e tyre nuk është kontestuar kurrë. Fakti që do të ishte më interesante për konsumatorët, ashtu si pretendon Qeveria, të paraqitej rëndësia e problemeve të denoncuara në vend të natyrës së tyre, nuk i ndryshon asgjë këtij konstatimi.
63. Gjykata kujton më pas se duhet marrë parasysh mënyra se si një reportazh ose një foto publikohen dhe mënyra se si personi i synuar është paraqitur aty (Wirtschafts-Trend Zeitschriften-Verlagsgesellschaft m.b.H. kundër Austrisë (no 3), nos 66298/01 dhe 15653/02, § 47, 13 dhjetor 2005 ; Reklos dhe Davourlis kundër Greqisë, no 1234/05, § 42, 15 janar 2009 ; dhe Jokitaipale e të tjerë kundër Finlandës, no 43349/05, § 68, 6 prill 2010). Përveç kësaj, shtrirja e shpërndarjes së reportazhit dhe të fotos, mund të marrë rëndësi, sipas rastit nëse bëhet fjalë për një gazetë me tirazh kombëtar ose lokal, të rëndësishëm ose të ulët (Iltalehti dhe Karhuvaara kundër Finlandës, no 6372/06, § 47, 6 prill 2010).
64. Në rastin e çështjes, Gjykata konstaton se kërkuesit kanë regjistruar një bisedë që përmban imazhe dhe zërin e një gjoja negocimi midis agjentit të sigurimeve dhe gazetares. Për mendimin e Gjykatës, regjistrimi në vetvete u ka shkaktuar vetëm një cenim të kufizuar interesave të agjentit të sigurimeve, pasi vetëm një rreth i kufizuar personash kanë pasur akses për ta dëgjuar regjistrimin, çka e pranon edhe Qeveria.
65. Ky regjistrim është përhapur më pas në formë reportazhi, në mënyrë veçanërisht të disfavorshme për agjentin e sigurimeve, ashtu si e ka nënvizuar tashmë Gjykata. Megithëse i shkurtër transmetimi i sekuencave të regjistrimit mund të sillte një cenim më të madh të drejtës së agjentit për jetë private, përderisa shumë telespektatorë- afërsisht dhjetë mijë sipas Qeverisë- kanë mundur të informohen për këtë gjë. Mirëpo, Gjykata e di se mediat audovizuale kanë shpesh efekte shumë më të shpejta dhe më të fuqishme se shtypi i shkruar (Jersild, i lartcituar, §31). Audienca, ka mundur kështu të krijojë opinionin e vet mbi cilësinë e këshillave të agjentit të sigurimeve dhe për mungesën e profesionalizmit nga ana e tij . Megjithatë, në këtë rast është përcaktues fakti që kërkuesit e kanë fshehur fytyrën e agjentit në mënyrë të tillë që vetëm ngjyra e flokëve dhe e lëkurës dukej ende pas transformimit të imazhit. Edhe zëri i tij ishte ndryshuar. Po kështu, Gjykata nënvizon se nëse veshjet e agjentit ishin të dukshme, këto të fundit sidoqoftë nuk paraqisnin ndonjë shenjë dalluese. Së fundi, biseda nuk u zhvillua në lokalet që frekuentonte zakonisht agjenti i sigurimeve.
66. Gjykata pra, nisur nga rrethanat e rastit, çmon se ndërhyrja në jetën private të agjentit të sigurimeve që nuk ka pranuar të shprehet mbi bisedën, nuk është aq e rëndë sa (A. kundër Norvegjisë, i lartcituar) që t’i fshihej interesit publik informacioni mbi parregullsitë e pretenduara në fushën e sigurimeve.
67. Së fundi, për sa i përket sanksionit, Gjykata duhet të mbajë parasysh natyrën dhe rëndësinë e tij. Mund të ndodhë që vetë dënimi si fakt të ketë më shumë rëndësi se natyra e parëndësishme e dënimit të dhënë (Stoll, i latcituar, §§ 153-154). Në këtë rast, megjithëse dënimet financiare me dymbëdjetë ditë- gjobë për tre kërkuesit e parë dhe katër ditë –gjoba për kërkuesen e katërt janë relativisht të lehta, Gjykata çmon se sanksioni i shpallur nga gjyqtari penal mund të kontribuojë që shtypi të mos shprehë kritika (Stoll, i lartcituar, § 154), dhe pse kërkuesve nuk u është hequr mundësia përtë transmetuar reportazhin e tyre.
68. Duke mbajtur parasysh sa më lart, Gjyata çmon se masa e kontestuar nuk ishte, në këtë rast, e domosdoshme në një shoqëri demokratike dhe se, për rrjedhojë, ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
II. MBI ZBATIMIN E NENIT 14 TË KONVENTËS
69. Sipas nenit 41 të Konventës,
« Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.
70. Kërkuesit nuk kanë paraqitur kërkesë për dëmshpërblim të drejtë. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se nuk ka vend për të akorduar një dëmshpërblim për këtë gjë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
1. Deklaron, unanimisht, këkesën të pranueshme ;
2. Thotë, me gjashtë vota pro dhe një kundër, se ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
Hartuar në Frëngjisht, më pas transmetuar me shkrim më 24 shkurt 2015, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të regullores.
Stanley NaismithIşıl Karakaş
SekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores, mendimi në pakicë i gjyqtarit Lemmens.
A.I.K.
S.H.N.
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglishtdhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC
© Këshilli i Europës/ Gjykata europiane e tëdrejtave të njeriut, 2015
Gjuhët zyrtare të Gjykatës europiane të të drejtave të njeriut janë frëngjjishtja dhe anglishtja. Ky përkthim është kryer me mbështetjen e Fondit të besimit për të drejtat e njeriut të Këshillit të Europës (/humanrightstrustfund). Ai nuk paraqet detyrim për Gjykatën, dhe kjo e fundit nuk mban asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e jurisprencës së Gjykatës europiane të të drejtave të njeriut (), ose çdo bazë të dhënash tjetër të cilës ia ka dhënë HUDOC. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo komerciale, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me treguesin e copyright si më sipër si dhe me referencën e Fondit të besimit për të drejtat e njeriut. Çdo person që dëshiron të përdorë tërësisht ose pjesërisht përkthimin për qëllime komerciale duhet ta njoftojë këtë më parë në adresën e mëposhtme: publishing@
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy