© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ҪËSHTJA HÄMÄLÄINEN kundër FINLANDËS
(kërkesë no 37359/09)
VENDIM
STRASBURG
16 korrik 2014
Ky vendim është përfundimtar. Ai mund të pësojë ndryshime vetëm në formë.
Në çështjen Hämäläinen kundër Finlandës,
Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut, që u mblodh në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Khanlar Hajiyev,
Danutė Jočienė,
Päivi Hirvelä,
András Sajó,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Erik Møse,
Helen Keller,
André Potocki,
Paul Lemmens,
Valeriu Griţco,
Faris Vehabović, gjyqtarë,
dhe Johan Callewaert, ndihmës sekretar i Dhomës së Madhe,
Pasi ka diskutuar në dhomën e këshillit në 16 tetor 2013 dhe 11 qershor 2014,
Jep këtë vendimin, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Kjo çështje nis me një kërkesë (no 37359/09) drejtuar kundër Republikës së Finlandës nga një shtetase e këtij shteti, znj. Heli Maarit Hannele Hämäläinen (« kërkuesja »), e cila iu drejtua Gjykatës në 8 korrik 2009 në bazë të nenit 34 të Konventës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore (« Konventa »). Fillimisht e shënuar me inicialin H., kërkuesja ka pranuar më pas të zbulojë identitetin e saj.
2. Kërkuesja është përfaqësuar nga avokati Constantin Cojocariu, avokat në Londër. Qeveria finlandeze (« Qeveria ») është përfaqësuar nga agjenti i saj z. Arto Kosonen, i ministrisë së punëve të jashtme.
3. Kërkuesja ankohet veçanërisht, nga këndvështrimi i nenit 8 dhe 14 të Konventës, se nuk ka mundur të fitojë njohjen e plotë të seksit të saj të ri pa e transformuar martesën e saj në një partneritet të regjistruar. Ajo e konsideronte këtë një shkelje të së drejtës së saj për jetë private dhe familjare.
4. Kërkesa i është dhënë seksionit të katërt të Gjykatës (neni 52 § 1 të rregullores së Gjykatës – « rregullorja »). Në 13 nëntor 2012, një dhomë e këtj seksioni e përbërë nga Lech Garlicki, kryetar, Päivi Hirvelä, George Nicolaou, Ledi Bianku, Zdravka Kalaydjieva, Nebojša Vučinić dhe Vincent A. De Gaetano, gjyqtarë, si dhe Lawrence Early, sekretar seksioni, ka dhënë një vendim që ka vendosur unanimisht pranueshmërinë e ankesave të bazuara në nenet 8, 12 dhe 14 të Konventës dhe papranueshmërinë e kërkesës për pjesën tjetër, joshkelje të nenit 8, të lexuar veçmas dhe të kombinuar me nenin 14 të Konventës, dhe panevojshmëri për të shqyrtuar ankesën sipas nenit 12 të Konventës.
5. Në 13 shkurt 2013, kërkuesja ka kërkuar që çështja t’i kalojë Dhomës së Madhe sipas nenit 43 të Konventës. Kolegji i Dhomës së Madhe e pranoi këtë kërkesë në 29 prill 2013.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u vendos më pas në pajtueshmëri me nent 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe 24 të rregullores. Në diskutimet e fundit, Danutė Jočienė ka vazhduar të punojë pas përfundimit të mandatit (nenet 23 § 3 të Konventës dhe 24 § 4 të rregullores).
7. Si kërkuesja ashtu edhe Qeveria kanë depozituar vërejtjet plotësuese me shkrim mbi themelin e çështjes (neni 59 § 1 i rregullores). Vërejtje që janë marrë edhe nga Amnesty International dhe nga Transgender Europe, të cilët, presidenti i Dhomës së Madhe i kishte autorizuar të ndërhynin në procedurën e shkruar (nenet 36 § 2 e Konventës dhe 44 § 3 e rregullores).
8. Seanca u zhvillua në publik, në Pallatin e të drejtave të njeriut, në Strasburg, në 16 tetor 2013 (neni 59 § 3 i rregullores).
U paraqitën :
– për Qeverinë
Z.A. Kosonen, drejtor, Ministria e Punëve të Jashtmme, agjent,
Znj. Silvola, Këshilltare kryesore, Ministria e Drejtësisë,
Znj. Faurie, administratore kryesore, Ministria e Ҫështjeve Sociale dhe Shëndetësisë,
Znj. K. Fokin, juriste, Ministria e Punëve të Jashtme , këshilltare ;
– për këkruesen
Z. C. Cojocariu, avokat, Interights,këshilltar,
Znj.V. Vandova, drejtore juridike, Interights,këshilltare.
Kërkuesja gjithashtu ka qenë e pranishme.
Gjykata ka dëgjuar Z. Kosonen, Z Cojocariu dhe Znj Silvola në deklaratat dhe përgjigjet e tyre për pyetjet e bëra nga gjyqtarët Hirvelä, Sajó dhe Lemmens.
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E RASTIT
9. Kërkuesja ka lindur në vitin 1963 dhe banon në Helsinki.
10. Ajo ishte e seksit mashkull kur lindi. Gjithmonë ka pasur ndjesinë se ishte një femër në trupin e një mashkulli, por ajo kishte vendosur ta pranonte këtë situatë. Në vitin 1996, u martua me një grua, me të cilën pati një fëmijë në vitin 2002.
11. Në 2004-ën, ajo filloi të ndihej gjithnjë e më keq dhe vendosi të marrë ndihmë mjekësore. Në prill 2006, mjekët vendosën se ajo ishte transseksuale. Që nga ajo kohë ajo bën jetë gruaje. Në 29 shtator 2009, ajo bëri një operacion për ndryshimin e seksit.
12. Në 7 qershor 2006, ajo ndryshoi emrin dhe rinovoi pasaportën dhe lejedrejtimin e makinës, por nuk mundi të ndryshonte numrin identifikues. Ky i fundit ashtu si pasaporta vazhdon ta tregojë si njeri të seksit mashkull.
A. Procedura e ndryshimit të numrit identifikues
13. Në 12 qershor 2007, kërkuesja i kërkoi zyrës lokale të gjendjes civile (maistraatti, magistraten) të konfirmonte për të seksin femër dhe ta zëvendësonte numrin identifikues mashkullor me një numër identifikues femëror, sepse ajo mendonte se ky nuk i përgjigjej më realitetit.
14. Në 19 qershor 2007, zyra e gjendjes civile e hodhi poshtë kërkesën me arsyen se, sipas neneve 1 dhe 2 të ligjit mbi konfirmimin e gjinisë së personave transseksualë (laki transseksuaalin sukupuolen vahvistamisesta, lagen om fastställande av transsexuella personers könstillhörighet), konfirmimi kërkonte që personi të mos ishte i martuar ose që bashkëshorti ta pranonte këtë gjë (paragrafi 29 më poshtë). Për zyrën e gjendjes civile, përderisa gruaja e kërkueses nuk pranonte të jepte pëlqimin për transformimin e martesës së tyre në një partneritet të regjistruar (rekisteröity parisuhde, registrerat partnerskap), seksi i të interesuarës nuk mund të regjistrohej në regjistrin e gjendjes civile.
15. Në 6 korrik 2007, kërkuesja u paraqit në gjykatën administrative (hallinto-oikeus, förvaltningsdomstolen) të Helsinkit, duke u ankuar veçanërisht se vendimi i bashkëshortes e saj për të mos e dhënë pëlqimin- vendim plotësisht i përligjur në sytë e kërkueses meqë që të dyja preferonin të mbeteshin të martuara- sillte pamundësinë që ajo të mund të regjistrohej me seksin e saj të ri. Ajo shpjegonte se divorci binte ndesh me bindjet fetare të çiftit. Sipas saj, një partneritet i regjistruar nuk ofronte të njëjtën siguri si martesa dhe, midis pasojave të tjera, do ta vinte vajzën e saj në një situatë të ndryshme nga ajo e fëmijëve të lindur nga martesa.
16. Në 5 maj 2008, gjykata administrative e Helsinkit e hodhi poshtë ankesën e kërkueses për të njëjtat arsye si zyra lokale e gjendjes civile. Përveç kësaj, ajo çmoi veçanërisht se vendimi i kontestuar i 19 qershorit 2007 nuk binte ndesh me nenin 6 të Kushtetutës, meqë partnerët e të njëjtit seks kishin mundësi, duke e regjistruar lidhjen e tyre, të përfitonin për sa i përket të drejtës familjare një mbrojtje pjesërisht të ngjashme me atë që ofron martesa. Nga ana tjetër, sipas gjykatës, nenet 1 dhe 2 të ligjit mbi konfirmimin e gjinisë së personave transseksualë nuk cenonte të drejtat kushtetuese të fëmijës së kërkueses. .
17. Në 8 maj 2008, kërkuesja u paraqit në Gjykatën e lartë administrative (korkein hallinto-oikeus, högsta förvaltningsdomstolen), duke përsëritur mjetet që kishte paraqitur në gjendjen e zyrës lokale civile dhe gjykatën administrative. Ajo i kërkonte gjithashtu gjykatës së lartë t’ia nënshtronte çështjen për shqyrtim paraprak Gjykatës së Drejtësisë së Komuniteteve Evropiane, veçanërisht mbi interpretimin që i duhet dhënë nenit 8 të Konventës evropiane të të drejtave të njeriut. Dhe duke iu referuar neneve 8 dhe 14 të Konventës, ajo pretendonte se Shtetit nuk kishte pse t’i thoshte se një partneritet i regjistruar ishte i përshtatshëm për rastin e saj, duke i shpjeguar veçanërisht se një zgjidhje e tillë kërkonte që bashkëkshortja e tij të bëhej lezbike. E interesuara çmonte se identiteti seksual i çiftit ishte një çështje private që nuk mund të kushtëzonte konfirmimin e seksit të saj të ri, dhe se transeksualiami përbënte një gjendje mjekësore që kishte të bënte me jetën private. Ajo çmonte se Shteti shkelte të drejtën e saj për jetë private sa herë që transseksualizmi zbulohej përmes numrit të saj identifikues mashkullor. Ajo shtonte se transformimi i martesës së saj në një partneritet të regjistruar kishte për pasojë se, sipas ligjit, ajo nuk do të ishte më babai i fëmijës së vet dhe nuk do të mund as të bëhej nëna e saj, pasi një fëmijë nuk mund të ketë dy nëna.
18. Në 3 shkurt 2009, Gjykata e lartë administrative e hodhi poshtë kërkesën e kërkueses që synon një shqyrtim paraprak të çështjes nga Gjykata e drejtësisë së Komuniteteve Evropiane dhe e shmangu ankesën e të interesuarës. Gjykata e lartë çmoi se duke miratuar ligjin mbi konfirmimin e gjinisë së personave transseksualë ligjvënësi nuk kishte dashur të ndryshonte faktin se vetëm një burrë dhe një grua mund të bashkohen nga martesa dhe nënvizoi se partnerët e të njëjtit seks mund të fitonin një njohje ligjore të marrëdhënies së tyre përmes regjistrimit. Ajo shpjegon se Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut kishte vendosur nga këndvështrimi i nenit 12 të Konventës se asnjë arye e vlefshme nuk mund të justifikonte që t’u refuzohej transeksualëve e drejta për t’u martuar por se ajo kishte pranuar që hapësira e vlerësimit ishte e madhe në këtë drejtim. Ajo kujtoi që nëse, sipas të drejtës finlandeze personat e të njëjtit seks nuk ishin të autorizuar të martoheshin, ata kishin mundësi të hynin në një partneritet të regjistruar. Për gjykatën e lartë, pasojat juridike dhe ekonomike të një partneriteti të regjistruar ishin kryesisht të ngjashme me martesën. Gjykata e lartë administrative shtoi se çështja e transformimit të institucionit të martesës në një institucion neutral nga pikëpamja e përkatësisë seksuale prekte vlera etike dhe fetare të rëndësishme dhe kërkonte miratimin e një ligji nga Parlamenti. Ajo vendosi se dispozitat në fuqi të së drejtës kombëtare nuk e tejkalonin hapësirën e vlerësimit që Konventa i jep Shtetit.
B. Procedura e jashtëzakonshme
19. Në 29 tetor 2009, kërkuesja paraqiti në Gjykatën e lartë administrative një ankesë të jashtëzakonshme në të cilën ajo i kërkonte kësaj të fundit të anulonte vendimin e mëparshëm të 3 shkurtit 2009. Ajo tregonte se kishte bërë një operacionin për ndryshim të seksit në 29 shtator 2009 dhe se nuk ekzistonte asnjë provë për përkatësinë e seksit mashkullor ashtu si dilte nga numri i saj i identifikimit dhe pasaportës. Ajo çmonte se nuk duhej të pësonte diskriminim për shkak të gjinisë së saj, edhe pse, për qëllim të martesës së saj, ajo do të vazhdonte të konsiderohej si burrë.
20. Në 18 gusht 2010, Gjykata e lartë administrative e hodhi poshtë ankimin e jashtëzakonshëm.
C. Procedurë tjetër
21. Në një datë jo të përcaktuar, kërkuesja kontaktoi gjithashtu edhe Avokaten e popullit për barazi (Tasa-arvovaltuutettu, Jämställdhetsombudsmannen), dhe ju ankua veçanërisht për mospërshtatjen e numrit të vet identifikues.
22. Në 30 shtator 2008, Avokatja e popullit për barazi deklaroi se ajo nuk mund të shprehej për numrin identifikues duke shpjeguar se gjykata administrative ishte njohur me këtë gjë dhe se ajo vetë nuk ishte kompetente për të kontrolluar vendimet e gjykatave. Ajo nënvizoi përveç kësaj se çështja nuk ishte gjykuar ende në Gjykatës së lartë administrative.
II. E DREJTA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Kushtetuta
23. Neni 6 i Kushtetutës (Suomen perustuslaki, Finlands grundlag ; ligji no 731/1999) lexohet kështu :
« Të gjithë individët janë të barabarte para ligjit.
Askush nuk mundet, pa një arsye të vlefshme, të bëhet objekt i një trajtimi të diferencuar të bazuar në seks, moshë, origjinë, gjuhë, fe, besime, opinione, shëndet, handikap ose në çdo arsye tjetër që lidhet me personin. Fëmijët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe si individë dhe duhet që në varësi të shkallës së tyre të pjekurisë të mund të gjykojnë mbi çështje që u interesojnë.
Barazia e sekseve duhet të inkurajohet në aktivitetet shkollore dhe në jetën profesionale, veçanërisht për sa i përket nivelit të pagesës dhe kushteve të tjera të punësimit, sipas modaliteteve të fiksuara më saktësisht nga një ligj [zbatimi]. »
B. Ligji mbi martesën
24. Neni 1 i ligjit mbi martesën (avioliittolaki, äktenskapslagen ; ligji no 411/1987) thotë se martesa është bashkimi midis një burri dhe një gruaje.
25. Neni 115 i të njëjtit ligj (ashtu siç është ndryshuar nga ligji no 226/2001) lexohet kështu :
« Një martesë e kontraktuar midis gruas dhe burrit në një Shtet të huaj para një autoriteti të këtij shteti është e vlefshme në Finlandë përderisa është e vlefshme në një Shtet ku ajo është bërë ose në një shtet ku njëri apo tjetri bashkëshort ishte shtetas i këtij vendi ose në të cilin njëri apo tjetri bashkëshort ishte me banim të përhershëm në momentin e lidhjes së martesës. »
C. Ligji mbi partneret e regjistruar
26. Sipas nenit 1 të ligjit mbi partneritetin e regjistruar (laki rekisteröidystä parisuhteesta, lagen om registrerat partnerskap ; ligji no 950/2001), çdo partneritet midis dy personave të të njëjtit seks dhe më të mëdhenj se 18 vjeç duhet të regjistrohet sipas modaliteteve të caktuara nga ligji.
27. Neni 8 § 1 i të njëjtit ligj është i formuluar kështu :
« (...) registrimi i partneritetit ka të njëjtat efekte ligjore si kryerja e një martese, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe ».
D. Ligji mbi konfirmimin e gjinisë së individeve transseksualë
28. Sipas nenit 1 të ligjit mbi konfirmimin e gjinisë së individëve transseksualë (laki transseksuaalin sukupuolen vahvistamisesta, lagen om fastställande av transsexuella personers könstillhörighet ; ligji no 563/2002), është vendosur që një individ i përket një seksi të kundërt nga ai që është regjistruar në regjistrin e gjendjes civile që nga moment që ai :
« 1) jep elementë mjekësorë që provojnë se ai, në mënyrë të vazhdueshme, ka ndjesinë se i përket seksit të kundërt dhe bën një jetë si individ që i përket seksit të kundërt, dhe se ka qenë sterilizuar ose për një arsye tjetër është i paaftë për të riprodhuar ;
2) është më shumë se18 vjeç;
3) nuk ka bërë martesë as nuk ka nënshkruar një partneritet të regjistruar, dhe
4) ka kombësi finlandeze ose vendqëndrim në Finlandë ».
29. Neni 2 i të njëjtit ligj parashikon përjashtime nga kushti që lidhet me statusin martesor. Një martesë ose një partneritet i regjistruar nuk e pengon konfirmimin e një ndryshimi seksi nëse bashkëshorti ose partneri jep pëlqimin për konfirmimin duke u paraqitur vetë para zyrës lokale të gjendjes civile. Kur përkatësia e seksit të kundërt konfirmohet, martesa transformohet ex lege në partneritet të regjistruar ose partneriteti i regjistruar në martesë. Ndryshimi regjistrohet në regjistrin e gjendjes civile.
30. Puna përgatitore për ligjin mbi konfirmimin e gjinisë së individëve transseksualë (projektligji HE 56/2001 vp) tregon veçanërisht se një atësi e vendosur nuk mund të anulohet vetëm me arsyen se burri i interesuar bëhet më pas një grua. Po kështu, një grua e cila ka nxjerrë në dritë legalisht një fëmijë mbetet nëna e fëmijës, edhe pse ajo bëhet më pas burrë. Detyrimet lidhur me kujdestarinë, me përkujdesjet dhe mbajtjen e fëmijës kryesisht bazohen në të qenit prind. Ndryshimi i seksit të një prej prindërve nuk i prek këto të drejta dhe detyrime.
III. E DREJTA E KRAHASUAR
31. Nga informacionet që disponon Gjykata del se dhjetë Shtete anëtare të Këshillit të Evropës (Belgjikë, Danimarkë, Spanjë, Francë, Islandë, Norvegji, Vendet e Ulëta, Portugali, Mbretëria e Bashkuar (vetëm Anglia dhe vendi i Galesit) dhe Suedi) lejojnë martesën homoseksuale.
32. Del gjithashtu se në njëzet e katër Shtete anëtare (në Shqipëri, në Andorra, në Azerbaïxhan, në Bullgari, në Bosnie-Hercegovinë, në Qipro, në Kroaci, në Estoni, në Gjeorgji, në Greqi, në Letoni, në Lieshtenshtein, në Lituani, në Luksemburg, në ish‑Republikën jugosllave të Maqedonisë, në Moldavi, në Monako, në Mal të Zi, në Poloni, në Rumani, në Rusi, në Serbi, në Slovaki dhe nën Slloveni), nuk ekziston një kuadër ligjor i saktë që të rregullojë njohjen ligjore të gjinisë as një dispozitë juridike që të trajtojë në mënyrë specifike gjendjen e individëve të martuar që kanë ndjekur një proces konvertimi seksual. Mungesa e rregullimit ligjor në këto shtete anëtare lë pa përgjigje një sërë pyetjesh, konkretisht se në çfarë kthehet një martesë e bërë para operacionit të konvertimit seksual. Gjashtë shtete anëtare (Hungaria, Italia, Irlanda, Malta, Turqia dhe Ukraina) janë pajisur më një legjislacion mbi njohjen e gjinisë. Në këto vende, ligji vë në mënyrë specifike një kusht celibati (beqarie) ose divorci ose dispozita të përgjithshme që figurojnë në kodin civil apo në ligje mbi familjen, saktësojnë se pas një ndryshimi seksi çdo martesë ekzistuese anulohet ose zgjidhet. Vetëm tre vende anëtare të mara në studim (Austria, Gjermania, dhe Zvicra) kanë ruajtur përjashtime që i lejojnë një individi të martuar të fitojë njohjen ligjore të ndryshimit të seksit duke ruajtur lidhjet martesore.
33. Pra, rezulton se, kur një martesë homoseksuale nuk lejohet, vetëm tre vende lejojnë përjashtimisht një individ të martuar të fitojë njohjen juridike të seksit të tij të ri pa qenë i detyruar t’i japë fund martesës së mëparshme. Në njëzet e katër vende anëtare, gjendja është e paqartë për shkak të mungesës së rregullimit specifik.
PËRSHKRIMI I SË DREJTËS
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 8 TË KONVENTËS
34. Kërkuesja ankohet, nga këndvështrimi i nenit 8 të Konventës, se nuk ka mundur të arrijë njohjen e plotë të seksit të saj të ri pa e transformuar martesën në një partneritet të regjistruar. Ajo sheh këtu një shkelje të së drejtës së saj për jetë private dhe familjare.
35. Neni i 8 i konventës lexohet kështu :
« 1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe të letërkëmbimit së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
A. Vendimi i dhomës
36. Në vendimin e vet të 13 nëntorit 2012, dhoma ka vënë re se faktet e çështjes binin në sferën e veprimit të nenit 8 të Konventës dhe kishin të bënin me nocionin e « jetës private ». Ajo ka çmuar se refuzimi për t’i dhënë kërkueses një numër të ri identiteti femëror shpjegohet me një ndërhyrje në ushtrimin e të drejtës së të interesuarës për respektim të jetës së saj private. Sipas saj, kjo ndërhyrje kishte një bazë në të drejtën e brendshme, d.m.th. në nenin 2 § 1 të ligjit mbi konfirmimin e gjinisë të individëve transeksualë dhe ajo ishte, pra, « e parashikuar nga ligji ». Ajo ka arritur në përfundimin se ndërhyrja ndiqte qëllimin e ligjshëm që konsiston në mbrojtjen e « shëndetit dhe të moralit » dhe « të drejtave dhe lirive të tjetrit ».
37. Sa për çështjen nëse masat e kontestuara ishin një domosdoshmëri për shoqërinë demokratike, dhoma nënvizoi se kërkuesja dhe bashkëshortja e saj ishin të martuar ligjërisht sipas së drejtës së brendshme dhe se ato dëshironin ta ruanin lidhjen e tyre martesore. Por e drejta e brendshme e lejonte martesën vetëm midis individëve me seks të kundërt. Ajo vëren se kërkuesja mund të merte një numër të ri të identitetit femëror vetëm nëse bashkëshortja e saj pranonte që martesa e tyre të shndërrohej në një partneritet të regjistruar dhe nëse nuk merrte pëlqimin prej saj, kërkueses i mbetej vetëm të zgjidhte të qëndronte e martuar dhe të vuante shqetësimet që i sillte numri identifikues mashkullor, ose të divorcohej nga bashkëshortja.
38. Dhoma ka vlerësuar se në këtë rast duheshin vënë në balancë dy të drejta konkuruese, d.m.th. e drejta e kërkueses për respektim të jetës private, çka nënkuptonte se ajo mund të merrte një numër të ri identifikues femëror dhe interesi i shtetit për të ruajtur të paprekur institucionin tradicional të martesës. Ajo ka vërejtur se nëse kërkuesja merrte një numër të ri duke i ruajtur lidhjet martesore, do të kishim të bënim me një martesë midis partnerësh të të njëjtit seks, gjë që nuk lejohej nga legjislacioni në fuqi, në atë kohë në Finlandë. Ajo vë në dukje jurisprudencën e Gjykatës e cila kërkon që neni 12 i Konventës të mos u imponojë shteteve kontraktuese detyrimin për të lejuar martesën për çiftet homoseksualë, që neni 8 i Konventës, qëllimi dhe fushëveprimi i të cilit janë më të përgjithshëm, të mos perceptohet sikur imponon një detyrimm të tillë dhe se çështja e rregullimit të pasojave që burojnë nga një ndryshim seksi në kuadrin e një martese, varet nga diskrecioni i shtetit kontraktues në fjalë.
39. Dhoma ka konstatuar se, nëse shkalla e konsensusit mbi martesën homoseksuale po evoluonte në nivelin evropian dhe nëse disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës e kishin përfshirë tashmë këtë mundësi në legjislacionin e tyre kombëtar, një mundësi e tillë nuk ekzistonte në Finlandë, edhe pse një projekt në këtë drejtim ishte tashmë në rrugë e sipër për t’u shqyrtuar nga Parlementi. Ajo ka nënvizuar se, githsesi, të drejtat e çifteve me seks të njëjtë mbroheshin nga mundësia për të kryer një partneritet të regjistruar. Duke pranuar se kërkuesja duhet të pësojë çdo ditë shqetësime që burojnë nga numri identifikues i papërshtatshëm që i ishte dhënë, dhoma ka çmuar se e interesuara kishte një mundësi reale për të ndryshuar këtë gjendje faktike përderisa martesa e saj mund të shndërrohej në çdo kohë ex lege, në partneritet të regjistruar më pëlqimin e bashkëshortes së saj. Ajo ka shtuar se, nëse një pëlqim i tillë nuk arrihej, kërkuesja kishte mundësi të divorcohej.
40. Dhoma nuk sheh asgjë të çproporcionuar as në faktin që t’i kërkohet bashkëshortes, të drejtat e së cilës gjithashtu hyjnë në lojë, të pranojë një transformim të tillë as në kushtin për shndërrim të martesës së kërkueses në një partneritet të regjistruar, duke marrë parasysh se ky i fundit paraqiste një zgjedhje reale që u ofronte çifteve me seks të njëjtë një mbrojtje ligjore pak a shumë identike me atë të martesës. Sa për rrethanën e një fëmije që rrjedh nga martesa, dhoma ka vërejtur se asgjë nuk tregonte se shndërrimi i martesës së prindërve të tij në partneritet të regjistruar do të dëmtonte vajzën e vogël ose këdo tjetër. Ajo ka çmuar se të drejtat dhe detyrimet e kërkueses që burojnë nga lidhja atërore ose lidhja prindërore me të bijën nuk do të ndryshonte nga shndërrimi i martesës në një partneritet të regjistruar. Prandaj, duke gjykuar se nuk është provuar që pasojat e sistemit finlandez ishin çproporcionale dhe duke mbajtuar parasysh se ishte ruajtur një ekuilibër i drejtë midis interesave konkuruese në lojë, dhoma vendosi jo-shkelje të nenit 8 të Konventës.
B. Tezat e palëve
1. Kërkuesja
41. Kërkuesja ankohet se ka qenë e shtrënguar në zbatim të legjislacionit të brendshëm të zgjedhë ndërmjet dy të drejtave themelore të garantuara nga Konventa, d.m.th. midis të drejtës së saj për vendosur vetë mbi seksin dhe të drejtës së saj për të qëndruar e martuar, çka do ta detyronte të hiqte dorë nga njëra prej tyre. Sipas saj, ky legjislacion si pasojë e vë atë para një dileme. Kërkuesja i referohet në këtë drejtim një vendimi të marrë në 27 maj 2008 nga Gjykata kushtetuese federale gjermane. Ajo saktëson se objekti i kërkesës së saj nuk është të rivendikojë shtrirjen e të drejtave të martesës për çiftet me seks të njëjtë, por thjesht të ruajë martesën e saj aktuale me bashkëshorten. Ajo shpjegon se në rastin e saj martesa midis individëve me të njëjtin seks do të ishte pasojë rastësore dhe aksidentale e njohjes ligjore të gjinisë së saj dhe se ajo kërkon të arrijë mbrojtjen e një të drejte tashmë të fituar dhe jo të drejtën eventuale për t’u martuar me një grua.
42. Kërkuesja çmon se ka pasur një ndërhyrje si në jetën private ashtu edhe në jetën familjare. Duke pasur parasysh arsyetimin e ndjekur nga Gjykata në çështjet Parry kundër Mbretërisë së Bashkuar (vend.), no 42971/05, GjEDNj 2006‑XV), dhe Dadouch kundër Maltës (no 38816/07, 20 korrik 2010), ajo vëren se aspekti « jetë familjare » nuk mund të përjashtohet në këtë rast. Për atë, hapësira vlerësuese e shtetit duhej të ishte më e ngushtë kur një element veçanërisht i rëndësishëm i ekzistencës ose identitetit të një personi është në rrezik dhe, kur bëhet fjalë për çështje të njohjes ligjore të gjinisë, Gjykata do të duhej ta kufizonte edhe më shumë dhe të orientohej drejt zhdukjes së detyrimit për t’u divorcuar. Për mendimin e kërkueses, hapësira e vlerësimit që u jepet shteteve nuk mund të shtrihet deri aty sa t’i autorizojë ata t’i japin fund në mënyrë arbitrare martesave.
43. Kërkuesja pretendon se detyrimi për t’u divorcuar që u imponohet nga ligji individëve transeseksualë përbën një cenim të panevojshëm dhe çproporcional të të drejtave që burojnë nga neni 8. Ajo mendon se ushtrimi i vënies në balancë i kryer nga dhoma është thellësisht i pamjaftueshëm, dhe kjo për shumë arsye.
44. Së pari, dhoma nuk ka vënë në balancë të drejtën e fituar nga kërkuesja dhe bashkëshortja e saj për t’u martuar. Kërkuesja shpjegon që nëse ajo do të zgjidhte që të arrinte njohjen ligjore të gjinisë së vet, kjo do t’i jepte fund martesës së saj, qoftë nga transformimi i martesës në një partneritet të regjistruar, qoftë nga divorci. Secili nga këto dy skenarë do të nënkuptonte fundin e martesës. Shndërrimi i martesës në një partneritet të regjistruar do të ishte i njëjtë me divorcin, meqë pasojat e shndërrimit zbatohen vetëm për të ardhmen. Duke pasur parasysh domosdoshmërinë për të marrë pëlqimin nga bashkëshorti, divorci në këto kushte do të ishte « i sforcuar », meqë shteti ia imponon çiftit. Kërkuesja mendon se ndërprerja e detyruar e martesës së saj do të minonte rëndë të drejtat që i takojnë nga Konventa si dhe ato të së shoqes dhe të së bijës, dhe se zgjidhja e një martese të tillë të vlefshme do të binte ndesh me angazhimin themelor për qëndrueshmëri që e dallon martesën nga lidhjet e tjera. Martesa do të vazhdonte të përfitonte shkallën më të lartë të mbrojtjes sipas nenit 8. Kërkuesja tregon se ajo vetë dhe bashkëshortja e saj janë martuar qysh prej shtatëmbëdhjetë vjetësh, jetojnë gjithmonë bashkë nën të njëjtën çati dhe rrisin së bashku një fëmijë që e kanë të dy bashkë. Ajo pretendon se mbijetesa e marrëdhënies së tyre, megjithë kalimin e njërës prej tyre në seksin e kundërt tregon shkallën më të lartë të angazhimit që kanë kundrejt njëra-tjetrës. Ajo çmon se mbeten dallime të rëndësishme midis martesës dhe partneritetit të regjistruar : sipas saj, kur partnerja femër i një partneriteti të regjistruar lind një fëmijë, të dy prindërit nuk bëhen automatikisht prindër de jure (me ligj), siç është rasti në martesë dhe birësimi nuk lejohet kur asnjëri nga partnerët nuk është prindi biologjik i fëmijës. Ajo shpjegon se ajo vetë dhe familja e saj do t’i humbnin këto të drejta, të rëndësishme sipas saj, nëse çifti pranonte të kryente një partneritet të regjistruar. Ajo shton se mbetet një dyshim lidhur me pyetjen se deri në ç’masë lidhja e bijësisë midis kërkueses dhe vajzës së saj do të mbijetonte në këtë rast, meqë ligji mbi individët transseksualë nuk përmbante sipas saj asnjë dispozitë lidhur me këtë çështje. Ajo vetë dhe bashkëshortja e saj, të frymëzuar nga besimet e tyre të forta fetare, ishin martuar me idenë se do të kishin një lidhje që do të vazhdonte gjithë jetën dhe ato nuk ishin të prirura të hiqni dorë nga martesa e tyre në asnjë rast. Kërkuesja argumenton, nga ana tjetër, se kalimi nga një seks në tjetrin nuk e ka transformuar detyrimisht këtë çift në një çift homoseksualësh. Bashkëshortja e saj është angazhuar në një martesë heteroseksuale qysh prej shtatëmbëdhjetë vjetësh dhe ajo vazhdon të jetë heteroseksuale. Për rrjedhojë, degradimi i marrëdhënies në çift në një partneritet të regjistruar nuk i korrespondon realitetit të heteroseksualitetit të bashkëshortes së kërkueses, e cila do të gjendej përballë një zgjedhjeje të pamundur, d.m.th. të mbështesë kërkuesen ose të ruajë martesën e tyre. Së fundi, sipas kërkueses, situata e vajzës së tyre do të ishte e njëjtë me atë të fëmijëve të lindur jashtë martesës.
45. Së dyti, kërkuesja pretendon se dhoma nuk i ka dhënë sa duhet rëndësi të drejtës së saj për vetëvendosje të seksit. Mungesa e njohjes ligjore të gjinisë së saj femërore do të kishte pasoja në jetën e vet të përditshme. Në të vërtetë, ajo ndihej e shtrënguar ta zbulonte transeksualitetin e saj para njerëzish plotësisht të panjohur në situata të përditshme që shumica e njerëzve i konsiderojnë si të zakonshme. Si shembull, ajo shpjegon se puna e saj e detyron të udhëtojë shumë, por pasaporta tregon ende se ajo është burrë. Sa herë udhëton me pasaportën e tanishme, ajo është e detyruar t’i blejë biletat e avionit me emërtimin « zotëri ». Shfaqja në avion e një individi me karakteristika femërore e pajisur me një pasaportë që tregon se ajo i përket seksit mashkull do të shkaktonte në mënyrë të pashmangshme probleme, vështirësi, vonesa, siklet dhe ankth. Duke marrë parasysh se Finlanda e ka lejuar të ndërrojë emrin me qëllim që t’i përshtatet identitetit të saj femëror, ajo e gjykon të palogjikshme që t’ia refuzojnë njohjen ligjore të gjinisë së saj në këtë stad dhe që ta lënë kështu në një situatë midis dy seksesh për një periudhë potencialisht të papërcaktuar. Ajo tregon se nuk ka zgjedhur të bëhet transseksuale dhe çmon se nuk duhej të ndëshkohej pra, me ndërprerjen e martesës. Ajo shpjegon se kushti i shprehur qartë që e bën njohjen ligjore të gjinisë të varur nga ndërprerja e martesës i ka penguar gjykatat finlandeze të bëjnë një shqyrtim të individualizuar që do të mbante parasysh situatën e saj në tërësi. Ajo shton se në çështjen Schlumpf kundër Zvicrës (no 29002/06, 8 janar 2009) Gjykata ka arritur të konstatojë një shkelje në rrethana të ngjashme. Ajo mendon se gjykatat kombëtare përveç kësaj nuk kanë shqyrtuar disa mundësi që nuk do të kërkonin ndërprerjen e martesës.
46. Së treti, kërkuesja gjykon si të pasaktë hipotezën e dhomës sipas të cilës interesi i shtetit për të mbrojtur martesën do ishte fatalisht i komprometuar nëse transseksualët do të lejoheshin të martoheshin. Ajo pretendon se dhoma gabimisht është nisur nga parimi se i vetmi interes i përgjithshëm në këtë rast ishte mbrojtja e karakterit heteroseksual të martesës. Ajo nuk kërkon të kontestojë rëndësinë e mbrojtjes së martesës heteroseksuale, por mendon se të kërkosh prej saj që ajo të divorcohet me qëllim që të mund të fitojë njohjen ligjore për gjininë e saj kjo përbën për shtetin një mjet të panevojshëm dhe çproporcional për të arritur objektivin e vet. Duke u nisur nga hipoteza se rastet do të ishin jashtëzakonisht të rralla, ajo çmon se martesa midis transseksualëve nuk do ta prekte martesën heteroseksuale, jo në mënyrë thelbësore. Duke shpjeguar se çiftet e martuara që gjenden në të njëjtën situatë si ajo dhe bashkëshortja e saj krijojnë pamjen e martesave homoseksuale, e interesuara shton se ndoshta martesa de facto dhe de jure midis individësh me seks të njëjtë ekzistojnë tashmë në Finlandë. Ajo shton se nëse një person e ka fituar njohjen ligjore të gjinisë së saj në një shtet të huaj, ky vendim është i vlefshëm në Finlandë.
47. Nga ana tjetër, kërkuesja e qorton dhomën se nuk kishte mbajtur parasysh si duhej prirjet ndërkombëtare të fundit për heqjen e detyrimeve për divorc, për legalizimin e martesës homoseksuale dhe për divorcin me pëlqim reciprok. Ajo mendon se do të ishte e mundur të hiqej divorci i detyruar, qoftë duke lejuar qartas martesën transseksuale, qoftë duke legalizuar martesën midis individësh me seks të njëjtë. Ajo u referohet studimeve të së drejtës së krahasuar për sa i përket njohjes ligjore të gjinisë dhe kërkesave në fushën e statusit martesor.
48. Kërkuesja parashtron se një evoluim drejt heqjes së detyrimit për t’u divorcuar është gjithashtu i perceptueshëm në Finlandë. Ajo tregon se avokatja e popullit finlandeze për barazinë tha në vitin 2012 se barazia për të gjithë para martesës mund të jetë një zgjidhje e përshtatshme për të mundësuar ruajtjen e martesës kur njëri nga bashkëshortët është transseksual. Ajo shton se në vijim të vizitës së tij në Finlandë në vitin 2012, Komisioneri për të drejtat e njeriut i Këshillit të Evropës ka kërkuar gjithashtu heqjen e detyrimit për t’u divorcuar dhe se, në këtë kontekst, qeveria finlandeze është angazhuar të ngrejë një grup pune që duhet të studiojë mundësinë për të reformuar legjislacionin e kontestuar. Sipas kërkueses, ekziston gjithashtu një prirje evropiane dhe ndërkombëtare për lejimin e martesave midis individëve me seks të njëjtë. Dhjetë vende evropiane e lejojnë aktualisht një martesë të tillë. Edhe në Finlandë do të duhej të ndodhte gjithashtu një zhvillim në një ardhme të shpejtë. Në shkurt 2013, komisioni i çështjeve juridike në Parlament kishte hedhur poshtë me një mazhorancë të dobët me nëntë vota pro dhe tetë kundër, një projektligj që e lejonte martesën midis individëve me të njëjtin seks. Mbështetja e opinionit publik për martesën homoseksuale kishte kaluar nga 45 % në vitin 2006 në 58 % në mars 2013.
2. Qeveria
49. Qeveria pajtohet me arsyetimin dhe konstatimin e dhomës se nuk ka shkelje në këtë rast. Ajo tregon se miratimi i legjislacionit të kontestuar synonte të parandalonte pabarazitë që buronin nga praktikat e ndryshme administrative të ndjekura në të gjithë vendin dhe të caktonte kushtet paraprake koherente për njohjen ligjore të gjinisë. Ajo shpjegon se në fillim projektligji kërkonte që personi i cili donte të merrte njohjen ligjore të gjinisë të mos ishte i martuar as i lidhur nga një partneritet i regjistruar, dhe nuk e lejonte martesën apo partneritetin e regjistruar të vazhdonte në një formë tjetër të njohur ligjërisht. Sipas saj, ngaqë këto kushte u konsideruan si të tepërta gjatë procesit legjislativ, mekanizmi i transformimit të martesës në partneritet të regjistruar u fut në dispozitat e ligjit. Qeveria deklaron se, qysh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të paktën pesëmbëdhjetë martesa janë shndërruar në partneritet të regjistruar dhe gjashtëmbëdhjetë partneritete të regjistruara në martesa. Ajo shton se në nëntë raste bashkëshortët kishin bashkë fëmijë, dhe se në asnjë rast lidhja ligjore prind-fëmijë nuk ka ndryshuar
50. Qeveria nënvizon se në vërejtjet e saj kërkuesja përmend shpesh, gabimisht sipas saj, një legjislacion që e bënte divorcin të detyrueshëm. Ajo shpjegon, përkundrazi, se përderisa bëshkëshorti jep pëlqimin e tij martesa transformohet automatikisht, ex lege, në një partneritet të regjistruar. Shprehja « transformohet » që figuron në nenin 2 të ligjit mbi konfirmimin e gjinisë së individëve transseksualë është zgjedhur qëllimisht për të treguar se lidhja ligjore vazhdon thjesht nën një emërtim të ndryshëm dhe me një përmbajtje paksa të ndryshuar. Kjo vazhdimësi ruante disa të drejta të prejardhura si pensioni për bashkëshortin e mbijetuar dhe nuk krijonte një të drejtë apo një detyrim për ndarjen e pasurisë midis bashkëshortëve. Kohëzgjatja e lidhjes llogaritej që nga fillimi i saj dhe jo nga momenti i ndryshimit të emërtimit. Nga ana tjetër, të drejtat dhe detyrimet që ridhnin nga prindërimi nuk vareshin nga seksi i prindit. Për rrjedhojë, nuk do të kishte divorc të detyruar në Finlandë, por rruga e divorcit përkundrazi do të varej nga zgjedhja diskrecionale e kërkueses. Legjislacioni finlandez ofronte mundësinë për të pajtuar të drejtën për vetëvendosjen seksuale me të drejtën për martesë, në formën e një partneriteti të regjistruar.
51. Qeveria shpjegon se ndryshimet midis martesës dhe partneritetit të regjistruar shfaqen vetëm në dy fusha : dispozitat në lidhje me prezumimin e atësisë bazuar në martesë dhe ato të ligjit për birësim nuk do të ishin të zbatueshme në kuadrin e një partneriteti të regjistruar dhe as ato të ligjit mbi mbiemrat që kanë të bëjnë me mbiemrin e bashkëshortit nuk do të zbatoheshin. Përkundrazi, çdo individ që ka bërë një partneritet të regjistruar mund të birësojë fëmijën e partnerit të vet dhe përjashtimet e lartpërmendura do të zbatohen vetëm në rastin kur prindërimi nuk është caktuar ende. Për Qeverinë, nuk mund të mohohet një prezumim atësie në bazë të martesës ose një atësi e vendosur me arsyen se burri është bërë më pas grua pas një operacioni për ndryshim seksi. Konvertimi seksual i një babai nuk do të kishte pasoja ligjore mbi përgjegjësinë e tij për sa i përket kujdestarisë dhe mbajtjes së një fëmije, meqë një përgjegjësi e tillë bazohet mbi prindërimin, pavarësisht nga seksi ose nga forma e partneritetit. Kërkuesja madje nuk pretendonte që të drejtat dhe detyrimet e saj do të kufizoheshin në rastin e transformimit të martesës së saj në partneritet të regjistruar, por ajo këmbëngulte më tepër në kuptimin social dhe simbolik të martesës. Qeveria, e cila argumenton se kërkuesja nuk ka sjellë asnjë dëshmi për të kundërtën, siguron se të drejtat dhe detyrimet ligjore të kërkueses ndaj fëmijës së saj, të cilat rrjedhin nga atësia ose prindërimi, nuk do të preken. Ajo arriti në përfundimin se e drejta finlandeze nuk i imponon të interesuarës as divorcin e detyruar as anulimin apo zgjidhjen e martesës së saj. Sipas saj, e interesuara do të mund të vazhdojë jetën e saj familjare pa pësuar asnjë ndërhyrje dhe asgjë nuk do të tregonte, pra, se jeta e saj private dhe familjare do të mund të prekej në ndonjë farë mënyre.
52. Qeveria nënvizon se, nëse Gjykata kushtetuese federale gjermane, në vendimin e vet të 27 majit 2008, e ka shpallur si jokushtetuese një situatë të ngjashme, ajo i ka besuar ligjvënësit kujdesin për të vendosur mjetet e përshtatshme për ta përmirësuar këtë situatë. Ajo tregon se, sipas gjykatës së lartë gjermane, martesa mund të transformohet në një partneritet civil të regjistruar dhe në një partneritet civil sui generis të pajisur me garanci ligjore, me kusht që të drejtat e fituara nga çifti dhe detyrat që rrjedhin nga martesa të mos kufizohen. Në këto kushte, ajo mendon se dispozitat e të drejtës finlandeze janë në përputhje me jurisprudencën përkatëse të Gjykatës kushtetuese federale gjermane.
53. Qeveria parashtron se ende nuk ka një konsensus evropian mbi çështjen nëse duhet ose jo të lejohet vazhdimi i një martese pas njohjes ligjore të seksit të ri të një bashkëshorti transseksual të operuar apo të lejohet martesa homoseksuale. Ajo përfundon se shteti duhet të gëzojë një hapësirë të madhe vlerësimi në këtë fushë dhe të ketë mundësi të rregullojë pasojat e ndryshimeve të seksit mbi martesat që ekzistonin që më parë.
3. Vërejtjet e ndërhyrësve të tretë
a) Amnesty International
54. Amnesty International çmon se traktatet në fushën e të drejtave të njeriut duhet të bëhen objekt, sa të jetë e mundur, i një interpretimi harmonik në mënyrë që të formojnë një tërësi unike detyrimesh të përputhshme mes tyre. Sipas kësaj organizate, është e vendosur qartë në të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut se ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit përmban ndalimin e çdo diskriminimi të bazuar në orientimin seksual. Si identiteti i gjinisë ashtu edhe orientimi seksual lidhen me nocione shumë subjektive të vetvetes. Shpesh, diskriminimi i bazuar në orientimin seksual ose identitetin e gjinisë do të shprehej në fushën e marrëdhënieve familjare. Në shumicën e këtyre rasteve, organet e gjykimit do të arrinin në përfundimin se në vendimin e autoriteteve ka mungesë të argumenteve të arsyeshme, bindëse, objektive ose të forta që mund të justifikojnë një diskriminim ndaj individëve të bazuar në orientimin e tyre seksual. Stereotipat do të përbënin një formë diskriminimi në rastin kur ato do të sillnin një trajtim të diferencuar duke mohuar apo penguar realizimin e të drejtave dhe lirive themelore. Shumë trajtime të diferencuara të bazuara në orientimin seksual do t’i gjenin rrënjët e tyre në stereotipat që kanë të bëjnë me rolin e sekseve.
55. Sipas Amnesty International, niveli i njohjes ligjore të çifteve me seks të njëjtë synon të arrijë atë të çifteve me seks të kundërt në shumë shtete, por në shumë vende ligji vazhdon të vendosë shumë dallime. Amnesty International shpjegon se nëse dy individë të identifikuar si femra formojnë një çift, ato konsiderohen si lezbike. Ky identifikim prek dinjitetin dhe të drejat e individëve të interesuar duke u imponuar një përkufizim të seksit që mund të mos i përshtatet ndjeshmërisë së tyre. Nga ana tjetër, ai nuk ka arsye të përdoret në rastin kur ligji u jep të njëjtin status dhe të njëjtat të drejta të gjitha çifteve. Shtetet nuk mund t’u imponojnë një vizion të veçantë të të drejtave atyre që nuk kanë një vizion të tillë. Traditat dhe vlerat nuk mund të justifikojnë kufizimin e të drejtave, edhe sikur këto tradita dhe vlera të pranohen nga shumica e shoqërisë.
b) Transgender Europe
56. Transgender Europe sjell në vërejtjet e tij informacione krahasuese që kanë të bëjnë me situatën në shtete të ndryshme anëtare të Këshillit të Evropës lidhur me njohjen ligjore të ndryshimit të seksit. Në disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës, individët transseksualë nuk mund të fitojnë njohjen ligjore të ndryshimit të seksit ndërkohë që në shtete të tjera kjo njohje ligjore do të merrte forma të ndryshme. Transgender Europe parashtron se disa nga shtetet anëtare i lejojnë çiftet me seks të njëjtë të martohen ose u ofrojnë atyre mundësinë e një partneriteti të regjistruar. Ndërmjet shteteve që propozojnë këtë opsion të fundit, disa prej tyre aktualisht kësaj mundësie do t’I vinin si kusht ndërprerjen e detyruar të lidhjeve martesore, ndërsa të tjerë nuk do të vendosnin një kusht të tillë. Në mënyrë të përgjithshme, ndërmjet shteteve anëtare të Këshillit të Evropës ekziston një prirje e fortë për të rishikuar qasjen e tyre në dritën e Rekomandimit (2010)5 të Komitetit të Ministrave të Shteteve anëtare mbi masat që synojnë të luftojnë diskriminimin e bazuar në orientimin ose identitetin e gjinisë, të miratuar në 31 mars 2010. Shumica e ligjeve të reja, e rishikimeve dhe debateve politike aktuale tregojnë se Shtetet anëtare marrin më shumë në konsideratë të drejtën për vetëvendosje të personave transseksualë kur hartojnë një legjislacion që ka të bëjë me ta.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Mbi zbatueshmërinë e nenit 8 të Konventës
57. Në këtë rast, kërkuesja formulon një ankesë në këndvështrimin e nenit 8 të Konventës. Qeveria nuk e kundërshton zbatueshmërinë e kësaj dispozite.
58. Gjykata nënvizon se kërkuesja ka kërkuar të marrë një numër identifikues femëror, duke pretenduar se pas operacionit të tij për ndryshimin e seksit numri i saj i vjetër identifikues mashkullor nuk i përgjigjej më realitetit.
59. Gjykata ka thënë shumë herë se një transseksual i operuar mund ta konsiderojë veten viktimë të një shkeljeje të së drejtës së tij për respektim të jetës private të mbrojtur nga neni 8 i Konventës për shkak të mungesës së njohjes ligjore të ndryshimit të seksit (shih, për shembull, Grant kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 32570/03, § 40, GjEDNj 2006‑VII, dhe L. kundër Lituanisë, no 27527/03, § 59, GjEDN 2007‑IV). Në këtë rast, nuk kontestohet se situata e kërkueses varet nga nocioni i « jetës private » në kuptimin e nenit 8 të Konventës.
60. Gjykata konstaton se kjo çështje ngre gjithashtu probleme që mund të kenë pasoja në jetën familjare të kërkueses. Në të drejtën e brendshme, shndërrimi i martesës aktuale të kërkueses në një partneritet të regjistruar kërkon pëlqimin e bashkëshortes së saj. Përveç kësaj, kërkuesja dhe bashkëshortja e saj kanë pasur së bashku një fëmijë. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se lidhja e të interesuarës me bashkëshorten dhe fëmijën e saj varet gjithashtu nga nocioni i « jetës familjare » në kuptimin e nenit 8 të Konventës.
61. Pra, neni 8 i Konventës ka vend të zbatohet në këtë rast, si në aspektin e « jetës private » ashtu dhe në aspektin e « jetës familjare »
2. Të dish nëse çështja përmban një detyrim pozitiv apo një ndërhyrje
62. Nëse neni 8 ka kryesisht për qëllim të mbrojë individin kundër ndërhyrjeve arbitrare të autoriteteve publike, ai mund t’i imponojë shtetit gjithashtu detyrime pozitive të qenisëshme për një respektim efektiv të të drejtave të garantuara nga neni 8 (shih, ndër të tjera, X dhe Y kundër Vendeve të Ulëta, 26 mars 1985, § 23, seria A no 91, dhe Söderman kundër Suedisë [GC], no 5786/08, § 78, GjEDNj 2013).
63. Gjykata ka thënë në çështjet e mëparshme se neni 8 i imponon shtetit detyrimin pozitiv që t’u garantojë qytetarëve të tij të drejtën për një respektim efektiv të integritetit të tyre fizik dhe moral (shih, për shembull, Nitecki kundër Polonisë (vend no 65653/01, 21 mars 2002, Sentges kundër Vendeve të Ulëta (vend.), no 27677/02, 8 korrik 2003, Odièvre kundër Francës [GC],no 42326/98, § 42, GjEDNj 2003‑III, Glass kundër Mbretësrisë së Bashkuar, no 61827/00, §§ 74-83, GjEDNj 2004‑II, dhe Pentiacova dhe të tjerë kundër Moldavisë (vend..), no 14462/03, GjEDNj 2005‑I). Përveç kësaj, një detyrim i tillë mund të kërkojë miratimin e masave specifike, veçanërisht zbatimin e një procedure efektive dhe të kuptueshme në mënyrë që të mbrojë të drejtën për jetë private (Airey kundër Irlandës, 9 tetor 1979, § 33, seria A no 32, McGinley dhe Egan kundër Mbretërisë së Bashkuar (9 qershor 1998, § 101, Përmbledhje vendimesh 1998‑III, dhe Roche kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 32555/96, § 162, GjEDNj 2005‑X) ose krijimin e një kuadri rregullator që vendos një mekanizëm gjyqësor dhe ekzekutues për të mbrojtur të drejtat e individëve, si dhe zbatimin, sipas rastit, të masave në fjalë në kontekste të ndryshme (A, B dhe C kundër Irlandës [GC], no 25579/05, § 245, GjEDNj 2010).
64. Gjykata vëren se palët nuk kundërshtojnë faktin që refuzimi për kërkuesen i numrit të ri identifikues (femëror) konsiderohet si cenim i të drejtës së të interesuarës për respektim të jetës private. Dhoma e Madhe, nga ana e vet, çmon se për të, çështja është të vendosë nëse respektimi i jetës private dhe familjare e kërkueses i imponon shtetit detyrimin pozitiv për të bërë një procedurë efektive dhe të aksesueshme, të tillë që t’i mundësojë kërkueses njohjen ligjore të seksit të saj të ri duke ruajtur gjithmonë lidhjen e saj martesore. Për rrjedhojë, Dhoma e Madhe gjykon më të përshtatshme të analizojë ankesën e kërkueses nga pikëpamja e detyrimeve pozitive që burojnë nga neni 8 i Konventës.
3. Parime të përgjithshme të zbatueshme në vlerësimin e detyrimeve pozitive të një Shteti
65. Parimet e zbatuara në vlerësimin e detyrimeve pozitive të një shteti sipas nenit 8 janë të krahasueshme me ato që rregullojnë vlerësimin e detyrimeve të tyre negative. Në të dy rastet, duhet mbajtur parasysh ruajtja e ekuilibrit të drejtë midis interesit të përgjithshëm dhe interesave të individit të interesuar, meqë objektivat e synuara në paragrafin 2 të nenit 8 luajnë një rol të caktuar (Gaskin kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 42, seria A no 160, dhe Roche, i lartciuar, § 157).
66. Nocioni i « respektimit » nuk është i qartë, sidomos për sa i përket detyrimeve pozitive të lidhura ngushtë me këtë nocion; për shkak të larmisë së praktikave të ndjekura dhe kushteve që sundojnë në shtetet kontraktuese, këto kërkesa ndryshojnë shumë nga një rast në tjetrin (Christine Goodwin kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 28957/95, § 72, GjEDNj 2002-VI). Sidoqoftë, Gjykata ka shqyrtuar një seri elementesh të rëndësishëm për vlerësimin e përmbajtjes së detyrimeve pozitive që duhen përmbushur nga shtetet. Disa nga këto elemente kanë të bëjnë me kërkuesin, për shembull rëndësia e interesit në fjalë ose vënia në dyshim e « vlerave themelore » ose e « aspekteve thelbësore » të jetës së tij private (X dhe Y kundër Vendeve të Ulëta, lartcituar, § 27, dhe Gaskin, i lartcituar, § 49), si dhe impakti mbi të interesuarin i një konflikti midis realitetit shoqëror dhe të drejtës, koherencës së praktikave administrative dhe juridike në rendin e brendshëm që merr një rëndësi të madhe për vlerësimin që duhet kryer nga këndvështrimi i nenit 8 (B. kundër Francës, 25 mars 1992, § 63, seria A no 232-C, dhe Christine Goodwin, i lartpërmendur, §§ 77-78). Elementë të tjerë që kanë të bëjnë me impaktin e detyrimit pozitiv të pretenduar mbi shtetin në fjalë, për shembull karakteri i gjerë dhe i papërcaktuar, ose i ngushtë dhe i përcaktuar i këtij detyrimi (Botta kundër Italisë, 24 shkurt 1998, § 35, Përmbledhje 1998-I) ose madhësia e barrës që detyrimi do t’ia ngarkonte shtetit (Rees kundër Mbretësrisë së Bashkuar, 17 tetor 1986, §§ 43-44, seria A no 106, dhe Christine Goodwin, i lartcituar, §§ 86-88).
67. Në zbatimin e detyrimeve pozitive që rëndojnë mbi ta sipas nenit 8, Shtetet gëzojnë një farë hapësire vlerësimi. Për të përcaktuar madhësinë e kësaj hapësire vlerësimi, duhen marrë parasysh një numër i caktuar faktorësh. Kur një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i ekzistencës dhe identitetit të një individi vihet në rrezik, hapësira që i është lënë shtetit është e kufizuar (shih, për shembull, X dhe Y kundër Vendeve të Ulëta, i lartcituar, §§ 24 dhe 27, dhe Christine Goodwin, lartcituar, § 90 ; shih gjithashtu Pretty kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 2346/02, § 71, GjEDNj 2002‑III). Përkundrazi, hapësira e vlerësimit është më e madhe kur nuk ekziston konsensus midis shteteve anëtare të Këshillit të Evropës mbi rëndësinë relative të interesit në lojë ose mbi mjetet më të mira për ta mbrojtur, në veçanti kur çështja ngre probleme morale ose etike delikate, (X, Y dhe Z kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 prill 1997, § 44, Përmbledhje 1997‑II, Fretté kundër Francës, no 36515/97, § 41, GjEDNj 2002‑I, dhe Christine Goodwin, lartcituar, § 85). Hapësira e vlerësimit është në një mënyrë të përgjithshme gjithashtu e gjerë kur shteti duhet të ruajë një ekuilibër midis interesave private dhe publike konkurruese ose midis të drejtave të ndryshme të mbrojtura nga Konventa të cilat janë në konflikt (Fretté, i lartcituar § 42, Odièvre, i lartcituar, §§ 44-49, Evans kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 6339/05, § 77, GjEDNj 2007‑I, Dickson kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 44362/04, § 78, GjEDNj 2007‑V, dhe S.H. dhe të tjerë kundër Austrisë [GC], no 57813/00, § 94, GjEDNj 2011).
68. Gjykatës i është dashur tashmë të shqyrtojë shumë çështje që kanë të bëjnë me mungesën e njohjes ligjore të ndryshimeve të seksit që pason nga operacionet e konvertimit seksual (shih, për shembull, Christine Goodwin, i lartcituar, Van Kück kundër Gjermanisë, no 35968/97, GjEDNj 2003‑VII, Grant, i lartcituar dhe L. kundër Lituanisë, i lartcituar, § 56). Duke u dhënë Shteteve një farë hapësire vlerësimi në këtë fushë, ajo ka gjykuar se, në bazë të detyrimeve pozitive që burojnë nga neni 8, Shtetet duhej të siguronin njohjen e ndryshimeve të seksit të transseksualëve të operuar, sidomos duke u mundësuar të interesuarve ndryshimin e gjendjes se tyre civile, me pasojat që rrjedhin prej kësaj (shih, për shembull, Christine Goodwin, lartcituar, §§ 71-93, dhe Grant, i lartcituar, §§ 39-44).
4. Zbatimi në këtë rast i parimeve të përgjithshme
69. Gjykata nënvizon së pari se kërkuesja dhe bashkëshortja e saj janë të martuara ligjërisht në pajtueshmëri me të drejtën e brendshme qysh në vitin 1996 dhe se ato dëshironin ta ruanin lidhjen e tyre martesore. Në të drejtën finlandeze, lejohet vetëm martesa midis personave me seks të kundërt. Martesa midis personave me seks të njëjtë për momentin është e ndaluar në Finlandë, megjithëse çështja e martesës homoseksuale aktualisht po studiohet në Parlament. Nga ana tjetër, të drejtat e çifteve me seks të njëjtë për momentin mbrohen nga mundësia për të lidhur një kontratë partneriteti të regjistruar.
70. Gjykata është e vetëdijshme se kërkuesja nuk pretendon të drejtën për martesë midis homoseksualëve në përgjithësi por ajo dëshiron thjesht të ruajë martesën e saj. Ajo konstaton gjithsesi se nëse të interesuarës do t’i plotësohej kjo gjë, në praktikë do të kishim një situatë në të cilën dy persona me seks të njëjtë do të mund të lidheshin me martesë. Por aktualisht, ashtu si thotë më lart Gjykata, një e drejtë e tillë nuk ekziston në Finlandë. Për rrjedhojë, Gjykata së pari duhet të shqyrtojë nëse, në rrethanat e rastit, njohja e një të drejte të tillë kërkohet nga neni 8 i Konventës.
71. Gjykata rithekson jurisprudencën e saj sipas të cilës neni 8 i Konventës nuk mund të kuptohet si detyrim për shtetet anëtare për t’i hapur rrugën martesës për çiftet homoseksuale (Schalk dhe Kopf kundër Austri, no 30141/04, § 101, GjEDNj 2010). Ajo ka thënë gjithashtu se çështja e rregullimit të pasojave të ndryshimit të seksit mbi martesën varej në një masë të madhe, por jo plotësish, nga hapësira e vlerësimit të shtetit kontraktues të interesuar (Christine Goodëin, i lartcituar, § 103). Përveç kësaj, Konventa nuk kërkon asgjë më shumë veçse që të ndërmerren dispozita të veçanta në situata të tilla si këto të rastit. Në çështjen Parry kundër Mbretërisë së Bashkuar (vendim i lartcituar), në vitin 2006 Gjykata ka çmuar që edhe pse e drejta angleze nuk i lejonte martesat midis personave me seks të njëjtë në kohën e fakteve kërkueset mund ta vazhdonin lidhjen e tyre në të gjitha aspektet thelbësore dhe t’i jepnin asaj një status ligjor i cili, nëse nuk ishte plotësisht identik me martesën, ishte i ngjashëm me të, duke vendosur për një partneritet civil që do të sillte praktikisht të njëjtat të drejta dhe detyrime si martesa. Pra, ajo e ka konsideruar partneritetin civil si një opsion të vlefshëm në këtë çështje.
72. Gjykata vëren se ky rast prek probleme që janë në evoluim të vazhdueshëm në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Ajo, pra, merr përsipër të shqyrtojë situatën që mbizotëron në vende të tjera anëtare lidhur me çështjet e ngritura në këtë rast.
73. Sipas informacioneve që ka Gjykata, duket se aktualisht dhjetë vende anëtare e lejojnë martesën midis personave me seks të njëjtë. Përveç kësaj, në shumicën e vendeve anëtare që e ndalojnë martesën homoseksuale nuk ekziston kuadri ligjor i saktë që rregullon njohjen ligjore të gjinisë dhe as ndonjë dispozitë tjetër që trajton veçanërisht gjendjen e personave të martuar që kanë bërë një operacion për ndryshimin e seksit. Ndër shtetet anëtare që ndalojnë martesën homoseksuale, vetëm gjashtë janë të pajisur me një legjislacion të zbatueshëm për njohjen e gjinisë. Në këto vende, ose ligji vë në mënyrë të veçantë si kusht celibatin (beqarie) apo divorcin, ose dispozitat e përgjithshme shprehen se pas një ndryshimi seksi çdo martesë që ka ekzistuar më parë anulohet ose zgjidhet. Duket se vetëm tre shtete anëtare kanë ruajtur përjashtime që i lejojnë një individi të martuar që ka ndryshuar seksin të fitojë njohjen ligjore për këtë ndryshim duke i ruajtur lidhjet martesore (paragrafi 31-33 më lart).
74. Pra, nuk mund të thuhet se ekziston në nivel evropian, as në shtetet që e ndalojnë një martesë të tillë, një konsensus mbi lejimin e martesës homoseksuale, mbi mënyrën se si rregullohet njohja e ndryshimeve të seksit në rastin e martesave që ekzistonin më parë. Shumica e shteteve anëtare nuk kanë miratuar asnjë legjislacion mbi njohjen e ndryshimeve të seksit. Duket se përveç Finlandës vetëm gjashtë shtete të tjerë janë pajisur me një legjislacion të tillë. Përjashtimet e përgatitura për transseksualët e martuar janë edhe më të rralla. Kështu, asgjë nuk tregon se situata në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës është zhvilluar dukshëm që nga koha që Gjykata ka dhënë vendimet e saj të fundit mbi këto çështje.
75. Në mungesë të një konsensusi evropian, dhe duke mbajtur parasysh se kjo çështje ngre padyshim probleme morale ose etike delikate, Gjykata çmon se hapësira e vlerësimit dhënë Shtetit të paditur mbetet e gjerë (X, Y dhe Z kundër Mbretërisë së Bashkuar, i lartcituar, § 44). Kjo e fundit në parim duhet të zbatohet qoftë për vendimin për të nxjerrë ligje ose jo mbi njohjen ligjore të ndryshimeve të seksit që rrjedhin nga operacione të konvertimit seksual, qoftë, sipas rastit, për rregullat e dekretuara për të ruajtur një ekuilibër midis interesave publike dhe interesave private në konflikt.
76. Sa për rendin ligjor të brendshëm, Gjykata konstaton se e drejta finlandeze i ofron aktualisht kërkueses shumë opsione. Së pari, e interesuara mund të zgjedhë statu quo-në në planin juridik duke ruajtur lidhjet e saj martesore dhe duke u përshtatur me shqetësimet që burojnë nga numri identifikues mashkullor. Gjykata konstaton se në sistemin finlandez një martesë e lidhur ligjërisht e cila bashkon dy individë me seks të kundërt nuk anulohet ose zgjidhet me arsyen se një nga bashkëshortët, pasi ka bërë një operacion për konvertim seksual, ka të njëjtin seks me bashkëshortin e saj. Në Finlandë, ndryshe nga situata që zotëron në vende të tjera, një martesë paraekzistuese nuk mund të anulohet ose të zgjidhet në mënyrë të njëanshme nga autoritetet e brendshme. Për rrjedhojë, asgjë nuk e pengon vazhdimin e martesës së kërkueses.
77. Së dyti, nëse kërkuesja dëshiron të arrijë njëkohësisht njohjen ligjore të seksit të saj të ri dhe një mbrojtje ligjore për marrëdhënien e saj me bashkëshorten, legjislacioni finlandez lejon transformimin e martesës së saj në një partneritet të regjistruar nëse bashkëshortja e tij pranon. Në të drejtën finlandeze, nga momenti që merr pëlqimin e bashkëshortit për ndryshimin e seksit, martesa shndërrohet automatikisht, ex lege, në një partneritet të regjistruar ose partneriteti i regjistruar në martesë, në varësi të situatës.
78. E drejta e brendshme ofron një rrugë të tretë, divorcin. Kjo rrugë është e hapur për kërkuesen si për çdo individ tjetër të martuar. Në kundërshtim me tezën e të interesuarës, Gjykata nuk sheh asgjë në rendin ligjor finlandez që të mund të interpretohet si një detyrim qe e çon kërkuesen drejt një divorci kundër dëshirës. Përkundrazi, ajo çmon se e drejta finlandeze i lë asaj lirinë e plotë ta përdorë ose jo këtë të drejtë
79. Duke lënë mënjanë opsionet e ruajtjes së statu quo –së dhe të divorcit, kërkuesja kundërshton kryesisht opsionin e dytë, atë që duhet t’i lejojë të përfitojë njëkohësisht njohjen ligjore të seksit të saj të ri dhe një mbrojtje ligjore të marrëdhënies së saj aktuale. Kështu, çështja kyç në këtë rast është të dish nëse sistemi me të cilin është pajisur shteti finlandez e lejon sot këtë të fundit të respektojë detyrimet pozitive në këtë fushë ose nëse kërkuesja do të duhej të lejohej të ruante lidhjet e saj martesore duke përfituar edhe njohjen ligjore të seksit të saj të ri, ndërkohë që kjo zgjidhje do të nënkuptonte një martesë homoseksuale midis të interesuarës dhe bashkëshortes së saj.
80. Gjykata konstaton se, ndryshe nga shumica e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, Finlanda ka ngritur një kuadër ligjor të tillë që mund të rregullojë njohjen ligjore të ndryshimeve të seksit. Ajo vëren se, siç e shpjegon Qeveria, legjislacioni i kontestuar ka për qëllim të unifikojë praktikat e ndryshme që përdoren në vend dhe të vendosë kritere koherente në fushën e njohjes ligjore të gjinisë. Përsa kohë bashkëshorti jep pëlqimin, sistemi lejon të pajtohet njohja ligjore e ndryshimit të seksit me mbrojtjen ligjore të marrëdhënies. Sistemi funksionon në të dy drejtimet, dhe parashikon kështu jo vetëm transformimin e martesës në një partneritetit të regjistruar por gjithashtu transformimin e partneritetit të regjistruar në një martesë, në varësi të operacionit të konvertimit të seksit nëse ky ka për pasojë ta transformojë marrëdhënien ekzistuese në një bashkim midis partnerësh me seks të njëjtë ose në një bashkim partnerësh me seks të kundërt. Sipas informacioneve të dhëna nga Qeveria, deri tani ka pasur tridhjetë e një transformime të këtij tipi, që ndahen praktikisht në mënyrë të barabartë midis situatave të lartpërmendura.
81. Duke hartuar këtë kuadër ligjor, ligjbërësi finlandez ka zgjedhur t’ua rezervojë martesën çifteve heteroseksuale, meqë kjo rregull nuk vuan nga asnjë përjashtim. I mbetet, pra, Gjykatës të përcaktojë, duke mbajtur parasysh rrethanat e çështjes, nëse sistemi finlandez ruan aktualisht një ekuilibër të drejtë midis interesave konkurruese në fjalë dhe nëse ai i përgjigjet proporcionalitetit.
82. Një nga shqetësimet e kërkueses ka të bëjë me detyrimin për të marrë pëlqimin e bashkëshortit, që sipas saj është i barasvlershëm me një divorc « të detyruar ». Gjykata çmon gjithsesi se, duke marrë parsysh se transformimi i martesës në një partneritet të regjistruar (ose vice versa) është automatik në kuadrin e sistemit finlandez, pëlqimi i bashkëshortit për regjistrimin e ndryshimit të seksit përbën një kërkesë elementare e konceptuar për të mbrojtur një bashkëshort nga pasojat e vendimeve të njëanshme të marra nga tjetri. Ky kusht paraqet, pra, qartësisht një mbrojtje të rëndësishme për bashkëshortin i cili nuk kërkon njohjen e ndryshimit të seksit. Në këtë aspekt, është mirë të vihet në dukje se pëlqimi kërkohet njëkohësisht edhe kur një partneritet i regjistruar duhet të transformohet në martesë. Për rrjedhojë, kjo kërkesë zbatohet gjithashtu në të mirë të institucionit të martesës.
83. Kërkuesja shprehet se është e shqetësuar gjithashtu nga ndryshimet midis martesës dhe partneritetit të regjistruar. Siç e ka shpjeguar Qeveria, këto ndryshime kanë të bëjnë me vendosjen e atësisë, birësimin jashtë rrethit familjar dhe mbiemrin e familjes. Ato gjithsesi paraqiten vetëm kur këto çështje nuk janë rregulluar më parë dhe kështu, pra, mbeten jashtë këtij rasti. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se ndryshimet midis martesës dhe partneritetit të regjistruar nuk janë të tilla që të sjellin një ndryshim substancial në situatën ligjore të kërkueses. Në praktikë, kjo e fundit pra, mund të vazhdonte të përfitonte në kuadrin e një partneriteti të regjistruar kryesisht nga e njëjta mbrojtje ligjore që i siguron martesa (shih, mutatis mutandis, Schalk dhe Kopf, i lartpërmendur, § 109).
84. Për më tepër, kërkuesja dhe bashkëshortja e saj nuk do të humbnin asnjë të drejtë nëse martesa transformohej në partneritet të regjistruar. Ashtu si e shpjegon Qeveria në mënyrë bindëse, shprehja « transformohet » që figuron në nenin 2 § 1 të ligjit mbi konfirmimin e gjinisë së individëve transseksualë është zgjedhur qëllimisht për të ilustruar faktin se marrëdhënia ligjore fillestare vazhdon thjesht me një emërtim të ndryshëm dhe me një përmbajtje të ndryshuar paksa. Kohëzgjatja e partneritetit pra llogaritet duke nisur nga data në të cilën është nënshkruar kontrata dhe jo nga momenti i ndryshimit të emërtimit. Ky aspekt mund të jetë i rëndësishëm në rastin kur kohëzgjatja e marrëdhënies përbën një të dhënë që legjislacionin e brendshëm duhet ta marrë parasysh, për shembull, për të llogaritur një pension pas vdekjes së bashkëshortit. Prandaj, Gjykata nuk mund të gjykojë me vend pretendimin e kërkueses se transformimi i martesës në një partneritet të regjistruar do të ishte njëlloj si një divorc.
85. Nga ana tjetër, Gjykata çmon se transformimi i martesës së kërkueses në një partneritet të regjistruar nuk do të sillte pasoja ose nuk do të sillte veçse pasoja shumë të lehta në jetën familjare të të interesuarës. Ajo nënvizon se neni 8 mbron gjithashtu jetën familjare të partnerëve me seks të njëjtë dhe të fëmijëve të tyre (Schalk dhe Kopf, i lartpërmendur, §§ 91 dhe 94). Pra, nga pikëpamja e mbrojtjes që i jepet jetës familjare, pak rëndësi ka se marrëdhënia e kërkueses me familjen e saj bazohet mbi lidhjet martesore ose në një partneritet të regjistruar.
86. Aspektet që lidhen me jetën familjare shfaqen gjithashtu në marrëdhënien e kërkueses me vajzën e saj. Meqë atësia e kërkueses është vendosur tashmë në mënyrë të vlefshme gjatë martesës, Gjykata çmon se sipas të drejtës pozitive finlandeze një transformim eventual i martesës në në partneritet të regjistruar nuk do të kishte asnjë pasojë mbi lidhjen bijë- baba midis kërkueses dhe të bijës. Fëmija do të vazhdonte pra të konsiderohej fëmijë i lindur në martesë. Përveç kësaj, ashtu si e paraqet Qeveria, në sistemin finlandez atësia e prezumuar në bazë të martesës ose atësia e vendosur tashmë nuk mund të anulohen për arsye se burri më pas është bërë grua pasi ka bërë një operacion për konvertimin e seksit. Kjo është konfirmuar nga fakti, i përmendur edhe nga Qeveria, se në asnjë rast kur një konvertim seksual ka ndodhur në Finlandë nuk ka pasur ndryshim të lidhjeve të bijësisë që ekzistonin më parë. Po kështu, ndryshimi i seksit të babait nuk ka asnjë pasojë ligjore mbi përgjegjësinë e tij për sa i përket detyrimeve të përkujdesjes, së kujdestarisë ose të mbajtjes së fëmijës, meqë në Finlandë kjo përgjegjësi bazohet në prindërimin, pavarësisht se cili është seksi i prindërve ose forma e marrëdhënieve të tyre. Pra, Gjykata e merr për të mirëqënë se transformimi i martesës së kërkueses në një partneritet të regjistruar nuk do të kishte as një ndikim mbi jetën familjare ashtu si mbrohet nga neni 8 i Konventës.
87. Megjithëse është për të ardhur keq që kërkuesja gjendet për ditë në situata ku numri i saj identifikues i papërshtatshëm i shkakton shqetësime, Gjykata çmon se e interesuara ka një mundësi reale për ta ndyshuar këtë gjendje : martesa e saj në çdo moment, me kusht që të ketë pëlqimin e bashkëshortes së saj, mund të transformohet, ex lege, në një partneritet të regjistruar. Në mungesë të një pëlqimi të tillë, e interesuara ka gjithmonë mundësi, ashtu si çdo individ, të kërkojë divorcin. Gjykata mendon se nuk është e çproporcionuar të vihet si kusht paraprak për njohjen ligjore të ndryshimit të seksit të kërkueses, që martesa e saj të transformohet në partneritet të regjistruar meqë ky i fundit paraqet sipas saj një opsion serioz që u jep çifteve me seks të njëjtë një mbrojtje ligjore praktikisht identike me atë të martesës (Parry, vendim i lartpërmendur). Pra, nuk mund të thuhet se, për shkak të ndryshimeve shumë të vogla që ekzistojnë midis dy formave juridike, sistemi në fuqi nuk e lejon shtetin finlandez të përmbushë detyrimet pozitive që ka në ngarkim.
88. Si përfundim, Gjykata çmon se nuk është provuar që pasojat e sistemit finlandez aktual në tërësinë tij, mbi kërkuesen, të jenë të çproporcionuara dhe ajo mendon se është ruajtur një ekuilibër i drejtë midis interesave konkurruese në lojë.
89. Pra, ajo vendos për jo-shkelje të nenit 8.
II. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 12 TË KONVENTËS
90. Në fillim, kërkuesja nuk e ka përmendur nenin 12 të Konventës në kërkesën e Gjykatës. Në 23 mars 2010, dhoma gjithsesi ka vendosur ex officio ta shpjegojë kërkesën në këndvështrimin e kësaj dispozite gjithashtu.
91. Neni 12 i Konventës lexohet kështu:
« Burri dhe gruaja që kanë mbushur moshën për martesë kanë të drejtë të martohen dhe të krijojnë familje sipas ligjeve kombëtare që rregullojnë ushtrimin e kësaj të drejte.”
A. Vendimi i dhomës
92. Në vendimin e saj të 13 nëntorit 2012, dhoma ka vërejtur se kjo çështje nuk ngrinte në vetvete asnjë problem lidhur me nenin 12 të Konventës, i cili garanton të drejtën për t’u martuar. Ajo ka konstatuar se kërkuesja ishte ligjërisht e martuar qysh prej vitit 1996 dhe problemi në këtë rast kishte të bënte më shumë me pasojat e ndryshimit të seksit të kërkueses mbi lidhjet martesore me bashkëshorten e saj, çështje që tashmë ishte shqyrtuar nga këndvështrimi i nenit 8 të Konventës. Duke mbajtur parasysh këto përfundime lidhur me këtë dispozitë të fundit, dhoma e ka gjykuar të panevojshme të bëjë një shqyrtim të veçantë të çështjes në rrafshin e nenit 12 të Konventës.
B. Vërejtjet e palëve
1. Kërkuesja
93. Kërkuesja i kundërvihet dhomës se ka miratuar një interpretim selektiv të nenit 12 të Konventës. Ajo çmon se do të ishte e rëndësishme të bëhej një shqyrtim i veçantë për sa i përket kësaj dispozite e cila sipas saj, kërkon në raport me nenin 8, një analizë të ndryshme që do të hetonte nëse ndërprerja e menjëhershme e martesës cenonte « thelbin e të drejtës për t’u martuar », sipas linjës së jurisprudencës së Konventës. Kërkuesja shton se një analizë e tillë përveç të tjerash do të korrigjonte faktin se dhoma nuk kishte shqyrtuar të drejtat familjare që burojnë nga neni 8.
94. Ajo mendon se neni 12 i Konventës duhej të interpretohej ose në mënyrë kufizuese duke iu referuar vetëm aktit kontraktual të martesës, ose në mënyrë më të gjerë duke u shtrirë gjithashtu në ruajtjen e martesës. Ajo pretendon se neni 12 i Konventës nuk do të ishte e i zbatueshëm për situatën e saj përderisa në atë kohë kur ato formonin një çift me seks të kundërt bashkëshortja e saj dhe ajo ishin lidhur me martesë. Në rastin e dytë, përkundrazi, do të ishte e domosdoshme sipas saj të përcaktoje nëse divorci « i sforcuar » e cenon « vetë thelbin e së drejtës për t’u martuar ». Për kërkuesen, duhej ruajtur ky interpretim i fundit. E interesuara çmon, në fakt, se ta lejosh një qeveri të ndërhyjë në një martesë në mënyrën se si ka ndërhyrë qeveria e paditur në martesën e saj në paraktikë do të thoshte t’i hiqje krejt thelbin së drejtës për t’u martuar. I interpretuar kështu, neni 12 do të duhej të zbatohej në këtë rast, çka do të kërkonte një shqyrtim të çështjes në këndvështrimin e kësaj dispozite.
2. Qeveria
95. Qeveria ndan mendimin e dhomës sipas së cilës nuk ka vend për të shqyrtuar rrethanat e çështjes veçmas në këndvështrimin e nenit 12 të Konventës. Ajo çmon se jurisprudenca nuk lejon t’i përgjigjesh dëshirës së kërkueses për të mbetur e martuar me bashkëshorten e seksit femër pasi të jetë konfirmuar seksi i saj i ri, dhe se çështja se si do të rregullohen pasojat e ndryshimit të seksit varet nga hapësira e vlerësimit të shtetit kontraktues. Ajo shton se Gjykata e lartë administrative ka vërejtur në këtë rast se ligjbërësi nuk ka dashur të ndryshojë faktin se vetëm një burrë dhe një grua mund të bashkoheshin nga një martesë, por ai ka lejuar që marrëdhënia të vazhdojë në formën e një partneriteti të regjistruar e cila ishte ligjërisht e mbrojtur dhe e ngjashme me martesën. Për Qeverinë, transformimi i institucionit të martesës në një institucion neutral nga pikëpamja e gjinisë kërkon miratimin e një ligji nga Parlamenti.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parime të përgjithsme
96. Gjykata kujton se neni 12 i Konventës përbën lex specialis për të drejtën e martesës. Ai garanton të drejtën themelore për një burrë dhe një grua për t’u martuar dhe për të krijuar familje. Ai parashikon shprehimisht se martesa rregullohet nga e drejta kombëtare. Neni kurorëzon konceptin tradicional të martesës, pra bashkimin e një burri me një grua (Rees, i lartpërmendur, § 49). Nëse është e vërtetë se një numër i caktuar shtetesh anëtarë e kanë lejuar martesën për partnerë me të njëjtin seks, neni 12 nuk mund të mendohet se u imponon një detyrim të tillë shteteve kontraktuese (Schalk dhe Kopf, i lartpërmendur, § 63).
2. Zbatimi në këtë rast i parimeve të lartpërmendura
97. Ҫështja në fjalë ka të bëjë me pasojat e ndryshimit të seksit të kërkueses mbi lidhjet martesore. Duke ndjekur shembullin e dhomës, Dhoma e Madhe çmon se kjo çështje, në këndvështrimin e nenit 8 të Konventës, ka qenë tashmë më lart, objekt i një shqyrtimi që ka përfunduar me konstatimim jo-shkeljes së kësaj dispozite. Në këto kushte, Gjykata mendon se asnjë çështje tjetër e ndryshme nuk shtrohet në raport me nenin 12 të Konventës, dhe se nuk ka vend për të formuluar një përfundim të veçuar në rrafshin e këtij neni.
III. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 14 TË KOMBINUAR ME NENET 8 DHE 12 TË KONVENTËS
98. Duke iu referuar nenit 14 të Konventës, kërkuesja pretendon se duke refuzuar t’i japë një numër femëror të identifikimit që i korrespondon seksit të saj të vërtetë, Shteti i shkakton një diskriminim. Ajo ankohet se ky refuzim e detyron të përhapë informacionin konfidencial për transseksualizmin e saj, duke parashtruar se, ndryshe nga individët e tjerë, ajo duhet të shpjegojë këtë mospërputhje sa herë i kërkojnë numrin e saj të identifikimit.
99. Neni 14 i Konventës lexohet kështu :
« Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë
duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla
si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo
mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në
një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.. »
A. Vendimi i dhomës
100. Në vendimin e saj të 13 nëntori 2012, dhoma ka çmuar se neni 14 i kombinuar me nenin 8 të Konventës duhej të zbatoheshin.
101. Më pas, ajo ka treguar se ankesat e kërkueses të formuluara në bazë të nenit 14 kishin të bënin me pamundësinë e të interesuarës për të marrë numrin femëror të identitetit. Ajo ka vërejtur se kërkuesja e krahason situatën e saj me atë të personava të tjerë, në përgjithësi, duke përfshirë këtu cisseksualët e transseksualët jo të martuar. Duke vlerësuar se këto situata nuk paraqisnin një ngjashmëri të mjaftueshme për t’u krahasuar me njëra tjetrën, ajo ka arritur në përfundimin se kërkuesja nuk mund të pretendonte se ishte në të njëjtën situatë si kategoritë e tjera të individëve që përmendte.
102. Dhoma ka shtuar se problemi në këtë rast buronte kryesisht nga fakti se e drejta finlandeze nuk e lejonte martesën mes partnerësh me seks të njëjtë. Ajo ka kujtuar se, sipas jurisprudencës së Gjykatës, nenet 8 dhe 12 nuk u imponojnë shteteve kontraktuese detyrimin për ta hapur martesën për çiftet me seks të njëjtë dhe se neni 14 i kombinuar me nenin 8 nuk mund të kuptohet më si një detyrim për shtetet kontraktuese që t’u garantojë çifteve me seks të njëjtë të drejtën për të mbetur të martuar. Ajo ka vlerësuar se, kur është fjala për marrjen e numrit femëror të identitetit, kërkuesja nuk mund ta konsiderojë veten viktimë të një diskriminimi në krahasim me individët e tjerë, edhe sikur të mendohet se ajo gjendet në një situatë të krahasueshme me këta individë. Ajo ka arritur në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 14 të kombinuar me nenin 8 të Konventës.
B. Vërejtjet e palëve
1. Kërkuesja
103. Në këndvështrimin e nenit 14 të Konventës, kërkuesja e quan veten viktimë të një diskriminimi të dyfishtë.
104. Së pari, ajo shpjegon se duhet të plotësojë një kusht shtesë, d.m.th. ndërprerjen e martesës së saj, për të fituar njohjen ligjore të gjinisë. Pra, ajo do të pësonte një diskriminim në lidhje me cisseksualët, gjinia e të cilëve do të bëhej objekt i një njohje ligjore që me lindjen, pa asnjë kusht tjetër. Kjo diferencë në trajtim i krijonte probleme në jetën e përditshme.
105. Së dyti, marrëdhënia e kërkueses me bashkëshorten dhe fëmijën e vet do të përfitonte një mbrojtje ligjore më të vogël se ajo që u jepet martesave heteroseksuale dhe kjo për shkak të ideve stereotipike që lidhen me identitetin e gjinisë së kërkueses. Martesat e cisseksualëve, ndryshe nga martesa e saj, nuk kërcënoheshin nga rreziku i një divorci « të detyruar ». Por, identiteti gjinor do të njihej tashmë përgjithësisht si një arsye për mbrojtje në kuadrin e dispozitave që e ndalojnë diskriminimin.
2. Qeveria
106. Qeveria pranon se neni 14 i Konventës është i zbatueshëm në këtë çështje, po të marrim parasysh se ajo bie në fushën e veprimit të nenit 8, por ajo çmon se nuk ka një çështje më vete në kuptimin e nenit 14. Në rast se Gjykata do të arrinte në një përfundim të ndryshëm, qeveria argumenton se, meqë nuk kanë ndonjë pretendim lidhur me gjininë, cisseksualët nuk janë në një situatë të ngjashme me atë të kërkueses. Ajo çmon se në çdo rast Gjykata do të duhej të arrinte në përfundimin se ka pasur një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm. Ajo shton se rendi ligjor finlandez e ndalon diskriminimin e bazuar në transseksualizëm.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parime të përgjithshme
107. Gjykata thekson se neni 14 i Konventës plotëson klauzolat e tjera normative të Konventës dhe të Protokolleve të saj. Ai nuk ka ekzistencë të pavarur, përderisa vlen vetëm për « gëzimin e të drejtave dhe lirive » që ato garantojnë. Sigurisht, ai mund të hyjë në veprim pa shkelur aspak kërkesat e tyre dhe, në këtë masë, ai ka një shtrirje autonome, por nuk do të mund të zbatohej nëse faktet e çështjes nuk bien në fushën e veprimit të paktën të njërës prej këtyre klauzolave (shih, për shembull, E.B. kundër Francës [GC], no43546/02, § 47, 22 janar 2008, dhe Vallianatos dhe të tjerë kundër Greqisë [GC], nos 29381/09 et 32684/09, § 72, GjEDNj 2013).
108. Sipas jurisprudencës bazë të Gjykatës, një çështje mund të shtrohet në raport me nenin 14 vetëm nëse ekziston një trajtim i diferencuar për persona të vendosur në situata të njëjta. Një trajtim i ndyshëm është diskriminim nëse nuk mbështetet në një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, d.m.th. nëse nuk nuk ndjek një qëllim legjitim ose nëse nuk ekziston një raport i arsyeshëm proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar. Nga ana tjetër, shtetet kontraktuese gëzojnë një farë lirie vlerësimi për të përcaktuar nëse dhe deri në ç’masë ndryshimet midis situatave analoge nga pikëpamje të tjera justifikojnë trajtimin e diferencuar (Burden kundër Mbretësrisë së Bashkuari [GC], no 13378/05, § 60, GjEDNj 2008).
109. Nga ana tjetër, Gjykata ka thënë se në shumë raste dallimet e bazuara në orientimin seksual duhet të justifikohen me arsye vërtet serioze. (Smith dhe Grady kundër Mbretërisë së Bashkuar, nos 33985/96 dhe 33986/96, § 90, GjEDNj 1999‑VI, L. dhe V. kundër Austrisë, nos 39392/98 dhe 39829/98, § 45, GjEDNj 2003‑I, Karner kundër Austrisë, no 40016/98, § 37, GjEDNj 2003‑IX, Konstantin Markin kundër Rusisë [GC], no 30078/06, § 127, GjEDNj 2012, X dhe të tjerë kundër Austrisë [GC], no 19010/07, § 99, GjEDNj 2013, dhe Vallianatos dhe të tjerë kundër Greqisë [GC], i lartcituar, § 77). Nga ana tjetër, një hapësirë e madhe i lihet zakonisht shtetit kur është fjala, për shembull, për të marrë masa të përgjithshme në fushën ekonomike ose shoqërore (Stec dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nos 65731/01 dhe 65900/01, § 52, GjEDNj 2006‑VI). Shtrirja e hapësirës së vlerësimit ndryshon sipas rrethanave, fushës dhe kontekstit; prania ose mungesa e një emëruesi të përbashkët për sistemet juridike të shteteve kontraktuese mund të konsiderohet si një faktor i rëndësishëm në këtë drejtim (Petrovic kundër Autstrisë, 27 mars 1998, § 38, Përmbledhje 1998‑II).
2. Zbatimi në këtë rast i parimeve të lartpërmenduara
110. Askush nuk e kundërshton, në këtë rast, se gjendja e kërkueses ka të bëjë me nocione që lidhen me « jeten private » dhe « jetën familjare » në kuptimn e nenit 8 të Konventës dhe se kjo gjendje lidhet gjithashtu me fushën e veprimit të nenit 12 të Konventës. Për rrjedhojë, neni 14 i kombinuar me këto dy dispozita duhet zbatuar.
111. Gjykata nënvizon se ankesat e formuluara nga kërkuesja sipas nenit 14 të Konventës kanë të bëjnë me kërkesën e saj për numër identifikues femëror dhe problemet që ajo ka hasur në këtë drejtim. Në vërejtjet e saj, kërkuesja e krahason gjendjen e saj me atë të cisseksualëve, duke shpjeguar se këta të fundit gëzojnë automatikisht që në lindje njohjen e gjinisë së tyre dhe se martesat e tyre, ndryshe nga martesa e saj, nuk rrezikohen nga ndonjë divorc « i detyruar ».
112. Dhoma e Madhe u pajtua me mendimin e dhomës sipas së cilës gjendja e kërkueses dhe ajo e cisseksualëve nuk paraqesin një ngjashmëri të mjaftueshme për të qenë të krahasueshme njëra me tjetrën. Pra, kërkuesja nuk mund të pretendojë se gjendet në të njëjtën situatë me cisseksualët.
113. Si përfundim, Gjykata çmon se nuk ka pasur shkelje të nenit 14 të Konventës të kombinuar me nenet 8 dhe 12 të Koventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
1. Deklaron, me katërmbëdhjetë vota pro dhe me tri vota kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës ;
2. Deklaron, me katërmbëdhjetë vota pro dhe tri vota kundër, se nuk është rasti të shqyrtohet çështja në aspektin e nenit 12 të Konventës ;
3. Deklaron, me katërmbëdhjetë vota pra dhe tri vota kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 14 të kombinuar me nenet 8 dhe 12 të Konventës ;
Hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj shpallur në seancë publike në Pallatin e të drejtave të njeriut, në Strasburg, në 16 korrik 2014.
Johan CallewaertDean Spielmann
Ndihmës/sekretar Kryetar
Këtij vendimi i bashkëngjiten, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores së Gjykatës, mendimet në pakicë si më poshtë:
– mendim alternativ i gjykatësit Ziemele ;
– mendim kundërshtues i përbashkët për gjykatësit Sajó, Keller dhe Lemmens.
D.S.
J.C.
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglishtdhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy