© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA HARAKCHIEV DHE TOLUMOV k. BULLGARISË
(Kërkesë nr. 15018/11 dhe 61199/12)
VENDIM
[Ekstrakte]
STRASBURG
8 Korrik 2014
Ky vendim bëhet i formës së prerë në rrethanat e përcaktuara në Nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet ndryshimeve redaktoriale..
Në çështjen Harakchiev dhe Tolumov k. Bullgarisë,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), e mbledhur si Dhomë e përbërë nga:
Ineta Ziemele, Presidente,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Ledi Bianku,
Zdravka Kalaydjieva,
Paul Mahoney,
Krzysztof Wojtyczek, gjyqtarë,
dhe Fatoş Aracı, Zëvendës-Sekretar i Seksionit,
Pas shqyrtimit në seancë të mbyllur më 24 Qershor 2014,
Jep vendimin si më poshtë, i miratuar në po atë datë:
PROÇEDURA
1. Çështja nis me dy kërkesa (nr. 15018/11 dhe 61199/12) kundër Republikës së Bullgarisë, depozituar në Gjykatë në bazë të Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga dy shtetas bullgarë, Z. Mitko Georgiev Harakchiev dhe Z. Liudvik Slavov Tolumov (“kërkuesit”), respektivisht më 22 Shkurt 2011 dhe 11 Shtator 2012.
2. Kërkuesit u përfaqësuan nga Z. M. Ekimdzhiev dhe Znj. S. Stefanova, avokatë që ushtrojnë profesionin në Plovdiv. Qeveria bullgare (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjentët e saj, Znj. I. Stancheva-Chinova dhe Znj. K. Radkova, nga Ministria e Drejtësisë.
3. Kërkuesit pretendonin, në mënyrë të veçantë, se dënimi me burgim për gjithë jetën i Z. Harakchiev (доживотен затвор без замяна) përbënte ndëshkim çnjerëzor dhe degradues, se regjimi dhe kushtet materiale të burgosjes përbënin torturë ose trajtim çnjerëzor e degradues, dhe se ata nuk kishin patur një mjet ligjor të brendshëm efektiv në lidhje me kushtet materiale të mbajtjes së tyre në burg.
4. Më 19 Shkurt 2013, Gjykata vendosi t’i bashkonte kërkesat, t’i deklaronte ato pjesërisht të papranueshme, dhe t’ia njoftonte Qeverisë kërkesat në lidhje me (a) vendimin me burgim për gjithë jetën të Z. Harakchiev’s; (b) regjimin dhe kushtet në burg të kërkuesëve; (c) pretendimin për monitorim të korespondencës së Z.Tolumov në burg; dhe (d) pretendimin për mungesë të një mjeti ligjor të brendshëm efektiv në lidhje me kushtet materiale në burg të kërkuesëve.
5. Më 17 Korrik 2013, Gjykata ftoi palët për trajtimin e një pike shtesë në vëzhgimet e tyre respektive.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Kërkuesi në kërkesën e parë (nr. 15018/11), Z Harakchiev, ka lindur në v. 1968. Aktualisht ai po vuan dënimin me burg për gjithë jetën (shiko paragrafët 58-60 dhe 65 më poshtë) në Burgun Stara Zagora.
7. Kërkuesi në kërkesën e dytë (nr. 61199/12), Z Tolumov, ka lindur në v. 1954. Aktualisht po vuan dënimin me burgim të përjetshëm (shiko paragrafët 56 dhe 65 më poshtë) në Burgun e Plovdivit.
A. Z. Harakchiev
1. Historiku kriminal i Z. Harakchiev dhe dënimi i tij me burgim për gjithë jetën
8. Mes viteve 1992 dhe 2005 Z. Harakchiev, me profesion shofer dhe mekanik makinash, qe dënuar tetë herë për vepra jo të dhunshme: për vjedhje dhe vjedhje të rëndë (katër dënime), dhe mashtrim e mashtrim të rëndë (tre dënime). Dënimet e dhëna për të shkonin nga dy deri në pesë vjet burg.
9. Më 21 Janar 2003, ai u dënua nga Gjykata Rajonale e Haskovos për mbajtje të një arme zjarri pa leje dhe katër grabitje motorash me armë, të kryera në periudhën mes 14 Tetorit dhe 6 Nëntorit 2001, dy prej të cilave të shoqëruara me vrasje në tentative e dy të tjerat me vrasje. Ai u dënua me burgim për gjithë jetën.
10. Më 26 Qershor 2003, Gjykata e Apelit të Plovdivit, ruajti vendimin dhe dënimin e Z. Harakchiev.
11. Në një vendim të formës së prerë të 23 Nëntorit 2004 (реш. № 476 от 23 ноември 2004 г. по н. д. № 901/2003 г., ВКС, ІІІ н. о.) Gjykata Supreme e Kasacionit ruajti, po ashtu, vendimin dhe dënimin e Z. Harakchiev. Ajo u shpreh, inter alia, se duke marrë parasysh seriozitetin e shkeljeve të tij - veçanërisht vendosmërinë dhe egërsinë me të cilën ishin kryer - dhënia e një dënimi më të butë, si burgimi i përjetshëm (доживотен затвор със замяна), nuk do të ishte e përshtatshme. Ky konkluzion nuk mund të ndryshonte nga fakti se Z. Harakchiev kishte pranuar krimin dhe i kishte ndihmuar autoritetet hetuese në zbulimin e veprimtarive të tij kriminale.
2. Kushtet e burgosjes në Burgun e Stara Zagorës dhe regjimet e zbatuara për Z. Harakchiev
12. Z. Harakchiev është mbajtur në Burgun e Stara Zagorës që nga 18 Janari 2002. Fillimisht ai u vendos në "regjim të përforcuar" (shiko paragrafin 115 më poshtë). Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Ekzekutimin e Dënimeve dhe Para-burgimit, më 1 Qershor 2009, ky regjim u zëvendësua nga "regjimi i ashpër" (shiko paragrafin 118 më poshtë). Më 17 Qershor 2009, Komisioni për Ekzekutimin e Dënimeve (shiko paragrafin 121 më poshtë) i propozoi Gjykatës Rajonale të Stara Zagorës ta vendoste Z. Harakchiev në “regjim të posaçëm”, normalisht i zbatueshëm për të burgosurit më dënim të përjetshëm, duke cituar "qëndrimin e tij negativ" dhe mungesën e respektit për rregullin e brendshëm, si dhe faktin që, në çdo rast, ai duhej të ishte vendosur në këtë regjim që në fillim. Më 21 Korrik 2009, Gjykata Rajonale e Stara Zagorës e pranoi propozimin. Kundërshtimi ligjor i këtij vendimi nga Z. Harakchiev u hodh poshtë nga Gjykata Rajonale e Stara Zagorës dhe Gjykata e Apelit e Plovdivit për kapërcim të afateve kohore. Qeveria parashtroi se, aktualisht, autoritetet e burgut nuk kishin asnjë plan për ndryshime të tjera në regjimin e burgut për Z. Harakchiev.
13. Mes Dhjetorit 2005 dhe Marsit 2013, për Z. Harakchiev u dhanë nëntë ndëshkime disiplinore. Ndëshkimet më të fundit, në Gusht 2012 dhe Mars 2013, u dhanë në lidhje me (a) një përleshje mes tij dhe një të burgosori tjetër gjatë shëtitjes së përditshme në mëngjesin e 4 Gushtit 2012, dhe (b) vjedhjen në 18 Shkurt 2013 të ushqimit që një i burgosur tjetër kishte lënë në tualetet e përbashkëta. Në lidhje me të parën, Z. Harakchiev iu dha qortim, ndërsa në lidhje me të dytën u ndëshkua me izolim në qeli për tre ditë.
14. Qelia e Z. Harakchiev– ku ai aktualisht rri i vetëm, por që duket se e ka ndarë me një të burgosur tjetër në periudhën mes 2002 dhe 2007 - ndodhet në sektorin e sigurisë së lartë, rezervuar për të burgosurit me dënim të përjetshëm. Sipas Z. Harakchiev, qelia ishte shumë e vogël, veçanërisht po të kemi parasysh që vetëm mobiljet zinin 4.50 metra katrorë, dhe natën ndriçohej nga një llampë inkandeshente 60 wat-ëshe që rrinte vazhdimisht e ndezur. Sipas Qeverisë, qelia nuk ishte nën madhësinë e duhur. Përmasat e saj ishin 4.30 x 1.81 metra katrorë dhe 3.95 metra e lartë. Në të ndodhej një dollap metalik me çelës, një krevat dysh metalik marinari, dy stola dhe një tavolinë e vogël, të gjitha të fiksuara në dysheme për arsye sigurie. Ajo kishte një dritare me orjentim nga jugu me përmasa 1.76 x 1.25 metra. Ndriçimi artificial realizohej me dy llampa luminishente 36 watt-ëshe. Sipas Z. Harakchiev, llampat inkandeshente ishin zëvendësuar me llampa luminishente në vitin 2012. Ai ka theksuar gjithashtu se qelia nuk kishte ndriçim nate me intensitet të ulët.
15. Burgu i Stara Zagorës nuk ka sistem ventilimi apo ajrimi të kondicionuar. Z. Harakchiev pretendonte se, për rrjedhojë, temperaturat në qeli gjatë verës ishin shumë të larta dhe se nuk kishte ajër të pastër. Në dimër, ngrohja vihej në punë vetëm për një orë në mëngjes, në mesditë dhe në mbrëmje. Sipas Qeverisë, dritaria e qelisë mund të hapej, gjë që lejonte ajrosjen e qelisë në çdo kohë. Burgu kishte instalimet e veta për ngrohje me dy boilera dhe një shkëmbyes nxehtësie. Boilerat ndizeshin nëntë orë në ditë, por uji i nxehur prej tyre qarkullonte gjatë gjithë kohës në insatalimet e ngrohjes. Sipas Z.Harakchiev, radiatori në qelinë e tij ishte i ngrohtë vetëm tridhjetë minuta në ditë dhe gjendja e dobët e riparimit të dritares dhe derës metalike ishin faktorë që kontribuonin në temperaturën e ulët të qelisë në dimër. Z. Harakchiev parashtroi gjithashtu se, për shkak se i duhej të thante rrobat në qeli, aty kishte shumë lagështirë. Si rezultat suvaja dhe boja e mureve po binte.
16. Sipas Z. Harakchiev, hapësirat e përbashkëta të burgut mund të mbaheshin të pastra vetëm duke u pastruar me hipoklorit kalciumi, ndërsa qelitë pastoheshin vetëm me ujë. Pretendimin e tij, Z. Harakchiev e mbështeti në deklaratën e një prej bashkë-vuajtësve të tij, bërë në procesin e nisur prej tij. Sipas Qeverisë, hapësirat e përbashkëta nuk pastroheshin vetëm me zbardhues. Ato pastroheshin çdo ditë me detergjentë dhe, të paktën, dy herë në vit i nënshtroheshin kontrollit për insekte dhe minj, gjë që evidentohej nga katërmbëdhjetë faturat për këto shërbime në katër vitet e fundit. Z. Harakchiev u përgjigj duke thëne se ato fatura nuk provonin se detergjentët në të vërtetë ishin përdorur siç pretendohej nga Qeveria. Ai parashtroi, po ashtu, se qelia e tij kishte vazhdimisht buburreca dhe minj dhe se të gjitha ankesat e tij drejtuar administratës së burgut nuk ishin marrë parasysh. Ai parashtroi, po ashtu, se meqë dritarja e qelisë së tij nuk ishte e veshur me rrjetë, insektet, të tërhequra nga era e jashtëqitjes dhe drita e vazhdueshme, hynin gjithë kohën në qeli dhe e pickonin.
17. Në qeli nuk ka as tualet e as ujë të rrjedhshëm. Z. Harakchiev parashtroi se për rrjedhojë, përveç tri herëve në ditë, që mund të shkonte në tualetin e përbashkët, atij i duhej të përdorte për këtë qëllim edhe nje kovë plastike. Gjatë kohës që dhomën e ndante me një të burgosur tjetër, atij i ishte dashur ta bënte këtë gjë në prani të tij. Mungesa e ujit bënte qe ai të mos kishte mundësinë të lante duart apo kovën pas kryerjes së nevojave personale. Qeveria vërejti se tualeti dhe banjo në sektorin e sigurisë së lartë mund të përdorej nga të burgosurit tre herë në ditë e po ashtu sa herë t’ia kërkonin këtë gjë rojeve. Ndaj nuk mund të thuhej se Z. Harakchiev kishte qenë i detyruar të përdorte kovën për nevojat e tij personale.; kjo kishte qenë zgjedhje e tij. Në fakt, ai kishte më shumë se dhjetë kova në qelinë e tij, ku mbante rroba, rrobat e palara e gjëra të tjera. Z. Harakchiev u përgjigj duke thënë se, përveç tre herëve që mund të shkonte në tualet, mes orës 5.30 a.m. dhe 8 p.m. rojet nuk e hapnin kurrë qelinë e tij që ai të mund të shkonte në tualet. Ndaj nuk ishte zgjedhja e tij për të përdorur kovën për nevojat pesonale.
18. Përveç se gjatë shëtitjes së tij të përditshme një-orëshe, Z. Harakchiev mund të dalë nga qelia për të shkuar në tualet tre herë në ditë. Sa herë që shkon në tualet, ai gjithashtu mund ta zbrasë kovën, të lajë duart dhe të mbushë shishet plastike me ujë për të pirë dhe për nevojat e tij sanitare. Sipas tij, vizitat e tij në tualet nuk zgjasnin më shumë se tre minuta në mëngjes dhe jo më shumë se dhjetë minuta në drekë dhe në mbrëmje, dhe nuk koinçidonin me përdorimin e tualetit nga të burgosurit e tjerë të atij sektori.
19. Sipas Z. Harakchiev, të burgosurit në Burgun e Stara Zagorës bënin vetëm një dush në katërmbëdhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë. Sipas Qeverisë, të gjithë të burgosurit në sektorin e sigurisë së lartë mund të bënin dush dy herë në javë.
20. Sipas Z. Harakchiev, vizitat e të afërmve apo avokatëve bëheshin në një dhomë të posaçme. Të burgosurit ndaheshin nga vizitorët me anë të një rrjete metalike dhe të burgosurit duhet të rrinin ulur. Një oficer i burgu ishte gjithmonë i pranishëm. Sipas Qeverisë, oficeri i burgut i pranishëm gjatë vizitave ishte aty vetëm për të siguruar rregull dhe nuk mund të dëgjonte bisedat. Vizitat e avokatëve bëheshin në një dhomë më vete, ku nuk ishte asnjë person tjetër i pranishëm. E vetmja formë kontrolli atje ishte monitorimi vizual. Në këtë kontekst, Qeveria tërhoqi vëmendjen ndaj faktit se, si rezultat i pretendimeve të shumta të ngritura prej tij ndaj autoriteteve të burgut, deri në mes të 2009-s Z. Harakchiev kishte shpenzuar 97 ditë jashtë Burgut të Stara Zagorës, dhe mes 1 Janarit 2010 dhe 18 Majit 2012 kishte shpenzuar 255 ditë, ose 54 % të kohës së tij, jashtë burgut.
21. Sipas Z. Harakchiev, përgatitja e ushqimit në burg ishte e varfër, me cilësi të dobët, pa shije, shërbehej i ftohtë dhe në kushte të këqija higjenike, dhe ishte i pamjaftueshëm në sasi. Mish shërbehej një herë në javë. Pjesa tjetër përbëhej nga fasule, thjerëza, lakër e patate, shërbyer në formë supe apo lëngu. Sipas Qeverisë, sasia dhe përmbajtja kimike dhe kalorifike ishte plotësisht e përshtatshme. Rracioni ditor përmbante 2,662 kalori, ndërsa mishi ishte i pranishëm në vaftet e ushqimit, të paktën një herë në ditë. Z. Harakchiev u përgjigj duke thënë se ai “mish” në të vërtetë nënkuptonte kocka të ziera ose mish të konservuar. Të dy palët parashtruan menutë dhe tabelat në mbështetje të deklaratave të tyre respektive.
22. Sipas Z. Harakchiev, kujdesi mjeksor në Burgun e Stara Zagorës konsistonte në dhënien në mënyrë rutinore të gjithë të burgosurve aspirina dhe analginë, dhe të burgosurve u duhej të blinin vetë të gjithë medikamentet e tjera. Sipas Qeverisë, qendra mjeksore e Burgut kishte në personelin e saj një mjek të përgjithshëm, tre feldshera (një për godinën kryesore të Burgut dhe një për secilën nga dy fjetoret e burgut), një infermier, një psikiatër dhe një dentist. Kontrollet mjeksore kryheshin çdo ditë, dhe, në raste urgjencash, të burgosurit mund të dërgoheshin tek reparti i urgjencës së Spitalit të Stara Zagorës. Kontrollet mjeksore në seksionin e sigurisë së lartë normalisht kryheshin të premteve. Të burgosurit mund të konsultoheshin edhe nga specialistë të jashtëm, apo të trajtoheshin nga spitalet e burgut në Sofie dhe në Lovech. Medikamentet normalisht siguroheshin nga qendra mejksore e burgut, ose mund të merreshin nga jashtë burgut. I vetmi medikament që Z. Harakchiev i ishte dashur të siguronte vetë, pasi qendra nuk e kishte patur, kishte qenë Rivotril (clonazepam), me një kosto për njësi prej 7.31 levash bullgare (BGN). Z. Harakchiev u përgjigj duke thënë, pa dhënë hollësi të mëtejshme, se atij i ishte dashur gjithmonë t’i siguronte medikamentet vetë. Ai po ashtu parashtroi se kujdesi dentar për të kishte qenë vetëm heqje dhëmbësh; pavarësisht nevojës së dukshme për t’i siguruar atij proteza dentare, autoritetet e burgut nuk kishin marrë asnjë masë për këtë gjë. Qeveria u përgjigj se protezat dentare nuk ishin pjesë e mbulimit mjeksor standard për çdo person të siguruar në Bullgari dhe nuk mund të siguroheshin falas.
23. Qeveria pohoi, po ashtu, se Z. Harakchiev mund të takohej çdo ditë me inspektorin social përgjegjës për seksionin e tij. Ai po ashtu mund të kërkonte të takohej me një psikolog, drejtorin apo nën-drejtorin e burgut, juristin e burgut, apo dikë tjetër nga personeli i burgut. Ai po ashtu mund të socializohej me të burgosur të së njëjtës kategori gjatë shëtitjeve të përditshme dhe gjatë fakteve. Ai po ashtu mund të shikonte televizorin kabllor, me pesëdhjetë kanale, kishte akses në bibliotekën e burgut, dhe në shërbesat fetare. Nga ana e tij Z. Harakchiev parashtroi se, pavarësisht se kishte shprehur dëshirën për një gjë të tillë, atij nuk i ishte dhënë mundësia të punonte apo të merrte pjesë në aktivitete sportive, kulturore apo edukative. Qeveria pohoi më tej se, në Nëntor 2006, Z. Harakchiev ishte lejuar të merrte pjesë në një kurs joge me qëllim reduktimin e nivelit të stresit.
24. Vlerësimet psikologjke vjetore të Z. Harakchiev për 2009, 2010, 2011 dhe 2013, paraqitur nga Qeveria, janë shumë të ngjashme. Të gjitha thonë, shpesh duke përdorur të njëjtën gjuhë, se sjellja e tij karakterizohej nga “fushata ku ai ishte angazhuar” kundër institucioneve dhe zyrtarëve të burgut me të cilët kishte patur kontake, që kryesisht kishte të bënte me inicimin e kundërshtimeve të ndryshme ligjore dhe nxitjen e të burgosurve të tjerë për të dhënë “dëshmi të rreme” në favor të tij. Dialogu me të ishte shumë i vështirë, kryesisht për shkak të mungesës së respektit nga ana e tij për autoritetin, ndërgjegjësimit të mprehtë në lidhje me të drejtat e tij, kokëfortësisë dhe prirjes për të kërkuar dhënien e dëshmive nga zyrtarët përgjegjës në çështjet e ngritura prej tij kundër autoriteteve të burgut. Rreziku për dëm serioz ishte i lartë nisur nga personaliteti i tij, natyra e veprave penale dhe pandryshueshmëria e sjelljes së tij. Ai kishte qenë verbalisht i dhunshëm me personelin e burgut.
...
II. E DREJTA E BRENDËSHME DHE PRAKTIKA RELEVANTE
A. Burgimi i përjetshëm
1. Shënim historik
51. Akti Penal i 1896-s, i cili përbënte adoptimin për herë të parë të një ligji të së drejtës penale pas rikrijimit të Bullgarisë si një shtet autonom në vitin 1878, parashikonte dispozitën e burgimit të përjetshëm si një formë të dënimit me heqje lirie (seksioni 15(1)). Personat e dënuar me burgim të përjetshëm mund të liroheshin, në rastet e "sjelljes së mirë", në qoftë se kishin kryer të paktën pesëmbëdhjetë vite të dënimit të tyre (seksioni 20(1) dhe (3)).
52. Akti Penal i 1951-shit, i cili zëvendësoi Aktin e 1896-ës e që në vitin 1956 mori emrin Kodi Penal, nuk parashikonte burgimin e përjetshëm si një formë ndëshkimi.
2. Sistemi i dënimit sipas Kodit Penal të 1968-s
53. Neni 36 i Kodit Penal të 1968-s, i cili zëvendësoi Kodin Penal të 1956-s, përcakton synimet e ndëshkimit penal. Paragrafi 1 siguron që ndëshkimi jepet me qëllim (a) reformimin e të dënuarit dhe rehabilitimin e tij apo të saj për të qenë në pajtueshmëri me ligjin dhe moralin e mirë; (b) frenimin dhe parandalimin e kryerjes së veprave të tjera penale prej atij apo saj; dhe (c) paralajmërimin dhe frenimin e anëtarëve të tjerë të shoqërisë. Paragrafi 2 thotë se ndëshkimi nuk mund të ketë për qëllim të shkaktojë vuajtje fizike apo poshtërim të dinjitetit njerëzor.
54. Dënimet e ndryshme penale listohen në Nenin 37 të Kodit, dhe Nenet 38-52 specifikojnë karakteristikat e këtyre dënimeve. Deri në vitin 1986 dënimi më i gjatë i mundur me heqje lirie ishte burgimi për njëzet vite (Neni 39 §§ 2 dhe 3 i Kodit, sipas formulimit në periudhën mes vitit 1968 dhe 1986). Në vitin 1986, maksimumi u rrit deri në tridhjetë vite burg.
55. Në bazë të Nenit 37 § 2 dhe 38 të Kodit, sipas formulimit përpara heqjes së dënimit me vdekje në Dhjetor të vitit 1998, gjykatat mund të jepnin dënimin me vdekje vetëm për shkelje të veçanta të rënda të qëllimshme dhe vetëm në qoftë se ishin të mendimit se qëllimet ndëshkuese dhe frenuese të ndëshkimit penal nuk mund të realizoheshin me anë të një dënimi më të butë. Sipas Nenit 38 § 4 të Kodit, dënimi me vdekje nuk mund të kryhej deri sa Presidenti i Republikës të kishte marrë në konsideratë zbutjen e tij.
56. Deri në vitin 1995, dënimi më i ashpër, pas atij me vdekje, ishte dënimi me burg për tridhjetë vjet në raste të jashtëzakonshme (Neni 39 § 2 i Kodit, sipas formulimit pas vitit 1986). Në vitin 1995, u fut një dënim i ri: burgimi i përjetshëm (доживотен затвор), i përkufizuar nga Neni i ri 38a § 1 i Kodit si "veçimi i personit të dënuar në një godinë burgu deri në fund të jetës së tij apo të saj”. Ky dënim mund të ndryshohet nga një gjykatë në burgim për tridhjetë vite, pasi i dënuari të ketë kryer të paktën njëzet vite burg (Neni 38a § 3 i Kodit).
57. Ekzekutimet e fundit të personave të dënuar me vdekje janë kryer në Nëntor të vitit 1989. Pas një periudhe moratoriumi de facto për ekzekutimet, më 20 Korrik 1990, Parlamenti vendosi një moratorium formal. Për më shumë hollësi mbi këtë pikë dhe debatet në vazhdim në lidhje me heqjen e dënimit me vdekje, shiko Iorgov k. Bullgarisë (nr. 40653/98, §§ 12-28, 11 Mars 2004).
58. Dënimi me vdekje u hoq me ligj që nga 27 Dhjetori 1998. Në të njëjtën kohë hyri në fuqi një dënim i ri: burgimi për gjithë jetën (доживотен затвор без замяна). Ky dënim zëvendësoi dënimin me vdekje në dispozitat e Kodit Penal të 1968-s, që mbulonin veprat specifike.
59. Neni 37 § 2 i Kodit, sipas formulimit pas amendimit, lexon si më poshtë:
“Veprat më të rënda, që kërcënojnë themelet e Republikës, dhe vepra të tjera të qëllimshme veçanërisht të rënda, do të dënohen, provizorisht dhe përjashtimisht, me burgim për gjithë jetën.”
60. Neni 38 i Kodit, sipas formulimit pas amendimit, lexon si më poshtë:
“1. Një dënim me gurgim për gjihtë jetën ... jepet vetëm në qoftë se vepra specifike është veçanërisht e rëndë dhe qëllimet [e ndëshkimit, sipas] përcaktimit në Nenin 36 nuk mund të sigurohen me anë të një dënimi më të butë.
2. Dënimi me burgim për gjithë jetën nuk mund të jepet për një person që, në kohën e kryerjes së veprës penale, nuk i ka mbushur 20 vjeç ose, për sa u takon personave që shërbejnë në forcat e armatosuar apo në kohë lufte, moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Dënimi me burgim për gjithë jetën nuk mund të jepet për një grua që ka qenë shtatzënë në kohën e kryerjes së veprës penale, apo është shtatzënë në kohën e dhënies së dënimit."
61. Pjesa relevante e shënimit shpjegues që shoqëronte propozimin për amendimin e Kodit lexonte si më poshtë:
“Projektligji propozon zëvendësimin e dënimit me vdekje me një dënim të ri: burgimi për gjithë jetën, i cili ndryshon nga burgimi i përjetshëm. Ky dënim e largon të burgosurin nga shoqëria, duke i hequr atij mundësinë e kryerjes së veprave të reja, dhe dënimi do të ketë një efekt frenues tek autorët e ardhshëm të veprave penale.”
62. Debatet parlametare mbi projektligjin u bënë më 27 Nëntor 1998 (leximi i parë) dhe 10 Dhjetor 1998 (leximi i dytë).
63. Në raundin e parë të këtyre debateve, një numër antarësh parlamenti u shprehën në favor të heqjes së dënimit me vdekje. Në të njëjtën kohë, një anëtar parlamenti u shpreh se do e mbështeste propozimin vetëm në rast se shoqërohej me futjen e burgimit për të gjithë jetën. Gjithashtu u shprehën mëdyshje se mostjetërsimi i një dënimi i tillë mund të kompromentohej nga ushtrimi i kompetencës presidenciale të faljes. Një tjetër parlamentar vuri në dukje se vështirë të mendohej që publiku ishte në favor të heqjes së dënimit me vdekje dhe se shoqëria duhej siguruar se ata që do i shpëtonin dënimit me vdekje, do të mbaheshin të izoluar prej saj. Nga ana e tij Ministri i Drejtësisë mori përsipër bërjen e një amendimi substancial të legjislacionit në lidhje me ekzekutimin e ndëshkimeve penale me qëllim izolimin e personave të dënuar me burgim për gjithë jetën duke parandaluar kësisoj kryerjen prej tyre të veprave penale në burg apo jetesën e tyre në kushte të rehatshme. Ai u shpreh më tej se niveli i izolimit duhej vlerësuar me kujdes në mënyrë që të mos shkeleshin të drejtat e njeriut të personave në fjalë.
64. Ne raundin e dytë të debateve një anëtar parlamenti vërejti se ishte paradoksale të kishe dy lloje dënimi me burgim të përjetshëm, por ai mund ta pranonte këtë gjë vetëm si një rregullim provizor. Ai u shpreh më tej se, në pikëpamjen e tij, kompetenca presidenciale e faljes nuk mund të kufizohej me ligj. Megjithatë, një tjetër parlamentar tha se, nëse ishte e nevojshme, duheshin bërë rregullime duke kufizuar fushëveprimin e kompetencës presidenciale të faljes për të parandaluar lirimin një ditë të atyre që, pa këtë amendim, do të dënoheshin me vdekje. Një tjetër parlamentar shprehu pikëpamjen se vetë formulimi i dispozitave të reja të Kodit ndalonte ushtrimin e kompetencës së Presidentit për falje në lidhje me personat që kryenin një dënim me burg për gjithë jetën.
65. Në përputhje me këtë, që nga heqja e dënimit me vdekje, Kodi parashikon tri lloje të dënimit me heqje lirie: burgim për një periudhë të përcaktuar deri në tridhjetë vite, burgim të përjetshëm me mundësi ulje, dhe burg për gjithë jetën pa mundësi ulje. Nuk ka vepër që mund të dënohet vetëm me burgim për gjithë jetën.
66. Me anë të dy dekreteve të 25 Janarit dhe 6 Marsit 1999, zëvendës-Presidenti i Republikës bëri ndryshimin e të gjithë vendimeve me vdekje, që ishin bërë të formës së prerë, por nuk ishin ekzekutuar, ose në burgim të përjetshëm (në një rast) ose në burgim për gjithë jetën (në njëzet e një raste) .
3. Sistemi i dënimit në projekt-Kodin e ri Penal
67. Më 31 Janar 2014, Qeveria shtroi para Parlamentit një projekt-Kod Penal me qëllim zëvendësimin e Kodit Penal të 1968-s. Projekt-Kodi nuk parashikon dënimin me burgim për gjithë jetën; ai parashikon vetëm dënimin me burgim të përjetshëm. Pjesa relevante e projektit lexon si më poshtë:
Neni 47 – Llojet e Dënimeve
“1. ...
2. Në mënyrë të veçantë veprat e rënda të qëllimshme janë të dënueshme me burgim të përjetshëm.”
Article 48 – Burgimi i përjetshëm
“1. Burgimi i përjetshëm konsiston në izolimin e të dënuarit deri në fund të jetës së tij në një institucion burgu.
2. Dënimi me burgim të përjetshëm jepet në rastet kur vepra është veçanërisht e rëndë krahasuar me vepra të të njëjtit lloj dhe synimet e ndëshkimit nuk mund të sigurohen me anë të një dënimi më të butë.
3. Burgimi i përjetshëm nuk jepet për
(1) Një person i cili nuk ka mbushur njëzet vjeç në kohën e kryerjes së veprës;
(2) Një grua e cila ka qenë shtatzënë në kohën e kryerjes së veprës ose është shtatzënë në kohën e dënimit.”
Article 49 – Zëvendësimi i burgimit të përjetshëm me burgim për një periudhë të caktuar
“1. Pjesa e mbetur e burgimit të përjetshëm mund të zëvendësohet me burgim për pesëmbëdhjetë vjet, në qoftë se i dënuari ka kryer jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet burg dhe ka dhënë, përmes sjelljes së tij, prova të rehabilitimit të tij.
2. ...
3. Koha e burgimit në bazë të paragrafit 1 duhet të kryhet e ndarë nga pjesa e burgimit të përjetshëm të kryer tashmë.”
68. Shënimi shpjegues që shoqëronte projekt-Kodin thotë sa më poshtë në lidhje me burgimin e përjetshëm (në p. 8):
“Dënimi me burgim për gjithë jetën duhet hequr, pasi sot perceptohet si shumë çnjerëzor për shkak të mungesës së çfarëdolloj shprese për personat për të cilët është dhënë ky dënim.
Nga ana tjetër është propozuar të ruhet dënimi me burgim të përjetshëm të ndryshueshëm. Rastet kur ai mund të jepet janë të kufizuara për shkak të ashpërsisë së jashtëzakonshme të këtij dënimi. Ai mund të përdoret vetëm kur vepra është veçanërisht e rëndë krahasuar me vepra të të njëjtit lloj dhe synimet e ndëshkimit nuk mund të sigurohen me anë të një dënimi më të butë. Për arsye humanitare, është parashikuar që ky dënim nuk mund të jepet për autor veprash penale që nuk kanë mbushur njëzet vjeç në kohën e kryerjes së veprës ose për gra që kanë qenë shtatzënë në kohën e veprës ose janë shtatzënë në kohën e dënimit.”
69. Drafti nuk është diskuatuar ende nga Parlamenti.
B. Falja dhe ndryshimi i dënimit dhe zbatueshmëria e tyre për dënimin me burgim për gjithë jetën
1. Lirimi me kusht
70. Në bazë të Nenit 70 § 1 të Kodit Penal të 1968-s, lirimi me kusht është i zbatueshëm vetëm për dënimet me burgim për një kohë të përcaktuar. Autorët e veprave penale të dënuar me burgim të përjetshëm apo burgim për gjithë jetën nuk kualifikohen për të përfituar lirim me kusht.
2. Ndryshimi i dënimit me vendim gjykate
71. Kodi i Procedurës Penale i vitit 1974 dhe Kodi i Procedurës Penale i vitit 2005 parashikojnë që një gjykatë rajonale, me kërkesë të prokurorit publik rajonal, mund të kthejë një dënim me burgim të përjetshëm në burgim për një periudhë të caktuar (Nenet 427 dhe 428 të Kodit të 1974-s dhe Nenet 449 dhe 450 të Kodit të 2005-s). Gjykata rajonale merr vendim me anë të një vendimi të arsyetuar; një vendim negativ mund të ankimohet përpara gjykatave më të larta. Në rast se propozimi i prokurorit publik hidhet poshtë, për dy vite nuk mund të paraqitet kërkesë tjetër për ulje dënimi. Legjislacioni nuk parashikon bërje kërkese nga ana e prokurorit publik për modifikim të dënimit për të denuarit me burgim për gjithë jetën.
3. Falja Presidenciale
(a) Kuadri ligjor
(i) Dispozitat kushtetuese dhe statutore
72. Në bazë të Nenit 98, pika 11, të Kushtetutë së 1991-shit, e cila hyri në fuqi më 13 Korrik 1991, kompetenca e faljes është prerogativë e Presidentit të Republikës.
73. Në atë kohë, Neni 74 i Kodit Penal të 1968-s, i cili përcakton sferën e veprimit të kompetencës presidenciale, lexon si më poshtë:
“Presidenti mund të përdorë kompetencën e tij të faljes për të dhënë falje në lidhje me tërësinë apo një pjesë të dënimit dhe, në rastin e dënimit me vdekje për të dhënë falje apo ndryshuar dënimin në burgim të përjetshëm.”
74. Në fuqi që nga 13 Tetori 2006, Neni 74 i Kodit ishte amenduar për të siguruar që kompetencat e Presidentit në lidhje me dënimin me vdekje të ishin, po ashtu, të zbatueshme edhe në lidhje me dënimet me burgim për gjithë jetën apo të përjetshëm.
75. Kjo është një kompetencë diskrecionare që Presidenti që nga viti 1991 ia ka deleguar tradicionalisht Zëvendës- Presidentit të Republikës, siç e parashikon Neni 104 i Kushtetutës së 1991-shit. Ushtrimi i saj nuk është subjekt rishikimi nga gjykatat e zakonshme (shiko опр. № 2429 от 20 февруари 2012 г. по адм. д. № 817/2012 г., ВАС, ІІІ о.).
(ii) Vendim no. 6 of 2012 i Gjykatës Kushtetuese
76. Në vendimin e saj nr. 6 të 11 Prillit 2012 (реш. № 6 от 11 април 2012 г. к. д. № 3/2012 г., обн., ДВ, бр. 15 от 2012 г.), dhënë në vijim të një kërkese të bërë nga gjashtëdhjetë e një anëtarë të Parlamentit, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një interpretim detyrues të Nenit 98, pika 11, të Kushtetutës së 1991-shit (shiko paragrafin 72 lart) dhe e ka deklaruar jokushtetues, si ultra vires dhe në shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve, një vendim të Parlamentit të dt. 15 Shkurt, 2012 për ngritjen e një komisioni ad hoc të mandatuar për hetimin, inter alia, të mënyrës se si Presidenti dhe Zëvendës-Presidenti kishin ushtruar kompetencën e tyre të faljes gjatë dy mandateve të tyre në periudhën midis 22 Janarit 2002 dhe 22 Janarit 2012 (shiko paragrafin 89 më poshtë). Gjykata shpjegoi se kompetenca presidenciale e faljes, në bazë të asaj dispozite, ishte ekuivalenca në kohën e sotme e prerogativës mbretërore të mëshirës, dhe bazohej në parimin e humanitetit. Për këtë arsye, ajo nuk mund të lidhej me arsye specifike, por duhej ushtruar nga Presidenti - ose, me delegim, nga Zëvendës-Presidenti - në bazë të rrethanave specifike të çdo rasti. Ajo mund të ushtrohet nga koha kur dënimi është bërë i formës së prerë, dhe mund të konsistojë në ulje të plotë apo të pjesëshme të dënimit apo zëvendësimim e tij me një dënim më të butë. Ajo nuk cënonte pavarësinë e gjyqësorit, pasi nuk parashikonte lirimin e personit nga përgjegjësia penale, por thjesht e përjashtonte atë nga kryerja e dënimit të dhënë nga gjykatat penale. Mënyra e ushtrimit të kësaj kompetence mund të përcaktohej me ligj, por nuk ishte e lejueshme që Parlamenti të përcaktonte apo kufizonte rrethanat në të cilat mund të ushtrohej ajo, apo të kërkonte të influenconte arsyet për ushtrimin e saj. Po ashtu nuk ishte e lejueshme të kufizoje llojet e dënimeve për të cilat mund të ushtrohej kompetenca, apo të përjashtoje një klasë të caktuar të dënuarish nga fusha e saj e veprimit.
77. Kompetenca e faljes, e cila në njëfarë mënyre ishte përjashtim nga parimi i barazisë para ligjit, bazohej në nevojën për të bërë efektive vlerave më të larta kushtetuese, që nuk mund të mbroheshin me anë të rregullave abstrakte ligjore. Ndaj Kushtetua nënkuptonte që kompetenca duhej ushtruar në mënyrë jo-arbitrare dhe në funksion të detyrës për të bërë efektive vlerat dhe parimet kushtetuese. Për rrjedhojë Kushtetuta kërkonte që, në ushtrimin e kësaj kompetence, Presidenti duhet të mbante parasysh barazinë, humanitetin, dhembshurinë, mëshirën si dhe situatën shëndetësore e familjare të të dënuarit. Në rastet kur ushtrimi i kompetencës së faljes kishte të bënte jo me të gjithë dënimin, por vetëm një pjesë të tij, ishte shumë e rëndësishme të merrej parasysh çdo ndryshim pozitiv në personalitetin e të dënuarit. Presidenti nuk kishte detyrimin të jepte arsye: aq sa ishte e palejueshme që ligjvënësi të kufizonte në çfarëdolloj mënyre kompetencën e tij, ishte po aq e papranueshme t’i kërkoje atij të jepte arsye. Në të vërtetë, në rast se jepeshin arsye për dekretet e faljes së dënimit, ato mund ta detyronin Presidentin apo Zëvendës-Presidentin të pranonin kërkesat për falje në të ardhmen, në rast se bëhej fjalë për rrethana identike, dhe të bënte që të dënuarit të besonin se kishin të drejtën e faljes, pasi plotësonin kushtet e përcaktuara në dekretet e mëparshme të faljes.
78. Në të njëjtën kohë, Presidenti kishte për detyrë të respektonte të drejtën e cilitdo për barazi përpara ligjit. Ndaj dhe ishte e domosdoshme të ekzistonin garanci të plota se Presidenti do t’i trajtonte në të njëjtën mënyrë të gjitha kërkesat për ulje dënimi dhe do të zbatonte të njëjtat kritere për to. Natyrisht, këto kritere Presidentit nuk i imponoheshin nga ligjvënësi, pasi kjo binte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve. Megjithatë Presidenti ishte në pozitën që mund të përcaktonte mënyrën në të cilën ai apo ajo do të ushtronte kompetencën e faljes dhe kriteret e përgjithëshme që do ta udhëhiqnin në lidhje me këtë. Një shpallje e tillë politike do ta bënte ushtrimin praktik të kësaj kompetence transparente dhe të pandryshueshme. Kësisoj Presidenti ose Zëvendës-Presidenti mund ta bënin të njohura, që në fillim të mandatit të tyre, kriteret që ata do të ndiqnin në trajtimin e kërkesave për falje.
79. Presidenti mund t’ia delegonte këtë kompetencë në çdo kohë - në fillim të mandatit ose më vonë - Zëvendës - Presidentit, i cili mund ta ushtronte atë në të njëjtën mënyrë si Presidenti. Delegimi mund të tërhiqej kurdoherë dhe nuk e ndalonte Presidentin në ushtrimin e kompetencës vetë. Në rastin e rizgjedhjes së Presidentit dhe Zëvendës-Presidentit për një mandat të dytë, delegimi i kompetencës mbetet i vlefshëm e s’ka nevojë të rinovohet.
80. Dekretet presidenciale të Faljes nuk kishte nevojë të bashkë-firmoseshin nga një ministër i kabinetit qeveritar. Ato hynin në fuqi pas firmosjes dhe nuk mund të rishikoheshin nga ndonjë autoritet tjetër. Ato as nuk mund të tërhiqeshin apo ndryshoheshin nga Presidentit pasi kishin prodhuar efektet e tyre. Në këtë kuptim, falja, pasi akordohej, ishte e parevokueshme, dhe personit që e përfitonte nuk mund t’i kërkohej të rikthehej për kryerjen e dënimit bazuar në sjellje të mëpasme. Falja, qoftë e plotë apo e pjesëshme, nuk mund të jetë as e kushtëzuar.
81. Nuk kishte kërkesë kushtetuese për botimin e dekreteve të faljes presidenciale në Fletoren Zyrtare. Vendimi nëse këto dekrete duheshin bërë publike varej nga balanca delikate, që duhej ruajtur, mes jetës private, të dhënave personale dhe dinjitetit të personit përfitues të një akti falje dhe të drejtës së publikut për t’u informuar për mënyrën e trajtimit nga ana e autoriteteve të çështjeve me interes publik. Praktika në njëzet vitet e fundit kishte qenë e tillë që dekretet e faljes nuk publikoheshin, nëse kjo gjë nuk pranohej nga personat në fjalë. Megjithatë, nuk kishte pengesë që të kërkoje publikimin e tyre. Kjo ishte një pikë që duhej vendosur nga ligjvënësi.
82. Dekretet e faljes, si të gjitha dekretet e tjera presidenciale dhe zëvendëspresidenciale, nuk ishin vendime administrative e nuk mund të njësoheshin me to. Rrjedhimisht ato nuk ishin subjekt i rishikimit gjyqësor, dhe mund të kundërshtoheshin, për arsye moskushtetueshmërie, në bazë të Nenit 149 § 1 (2) të Kushtetutës, përpara Gjyaktës Kushtetuese, nga secili prej autoriteteve apo personave që kanë të drejtën të hapin proces përpara kësaj gjykate, në bazë të Nenit 150 të Kushtetutë: një e pesta e 240 anëtarëve të Parlamentit, Presidenti, Këshilli i Ministrave, Gjykata Supreme e Kazacionit, Gjykata Supreme Administrative, ose Prokurori i Përgjithshëm.
83. Në një opinion pjesërisht kundërshtues tre gjykatës kushtetues u shprehën, inter alia, se nuk ishte e palejueshme që Presidentit t’i kërkohej me ligj të japë arsye për dekretet e tij të faljes. Në të vërtetë, këto arësye do të tregonin se dekretet nuk ishin arbitrare dhe do të lehtësonin shumë rishikimin e tyre nga Gjykata Kushtetuese.
(b) Ushtrimi gjatë periudhës 2002-12
84. Presidenti dhe Zëvendës-Presidenti qëndruan për dy madate, i pari nga 22 Janar 2002 deri në 22 Janarit 2007 dhe i dyti nga 22 Janar 2007 deri në 22 Janar 2012.
85. Në periudhën midis 1 Janar 2002 dhe 31 Dhjetor 2009, Zëvendës-Presidenti mori 6,967 kërkesa për falje, nga të cilat 477 u aprovuan.
86. Në praktikë, një komision zyrtarësh nga administrata e Presidentit shqyrtonte kërkesat për falje dhe i propozonte Zëvendës-Presidentit. Për krijimin e opinionit të tij për çdo rast, komisioni merrte në konsideratë qëndrimin e këshilltarëve juridikë të Presidentit mbi politikën penale dhe mbështetej në informacionet rreth të dënuarit dhënë nga administrata e burgut. Përpara se të merrte vendimin, Zëvendës-Presidenti mund edhe ta intervistonte të burgosurin.
87. Sipas një raporti të Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës së Burgjeve, datë 15 Shtator 2009, Zëvendës-Presidentit të rradhës iu paraqitën 100 kërkesa për falje nga të burgosur që po kryenin dënimin me burgim për gjithë jetën; asnjë nga këto kërkesa nuk u aprovua. Sipas shefit të kabinetit të Zëvendës-Presidentit, në periudhën midis 21 Janarit 2002 dhe 7 Shtatorit 2009, komisioni këshillimor kishte marrë njëzet e nëntë kërkesa për falje nga gjashtëmbëdhjetë persona të dënuar me burgim për gjithë jetën; asnjë prej tyre nuk ishte aprovuar. Ai shpjegoi më tej se Zëvendës-Presidentit nuk i kërkohej të jepte arsye për refuzimet e tij. por të burgosurit në fjalë mund të rinovonin kërkesën e tyre për falje pa kufizim. Në një raport të publikuar në Prill 2010, Komiteti Bullgar i Helsinkit e përmendte gjithashtu këtë informacion dhe thoshte se kërkimet e tyre kishin treguar se edhe përpara Janarit 2002 asnjë person që ishte duke vuajtur dënimin me burgim për gjithë jetën, nuk kishte përfituar nga falja presidenciale (shiko paragrafin 175 më poshtë).
88. Kërkuesit kanë paraqitur katër letra me datë 27 Qershor 2006, 29 Nëntor 2007 dhe 17 Shkurt 2011, në të cilat administrata presidenciale informonte dy të burgosur të përjetshëm në kushte identike se "kërkesat e tyre për falje ishin shqyrtuar dhe ishin hedhur poshtë”. Letrat nuk përmbanin hollësi të mëtejshme.
(c) Vendimi i Parlamentit i datës 15 Shkurt 2012 për ngritjen e një komisioni ad hoc për hetimin, inter alia, të ushtrimit të kompetencës presidenciale të faljes në periudhën mes 22 Janar 2002 dhe 22 Janar 2012
89. Në 15 Shkurt 2012 Parlamenti vendosi për ngritjen e një komisioni ad hoc me mandatin për të hetuar, inter alia, mënyrën se si Presidenti dhe Zëvendës-Presidenti i mëparshëm kishin ushtruar kompetencën e faljes gjatë dy mandateve të tyre në periudhën mes 22 Janarit 2002 dhe 22 Janarit 2012 (shiko paragrafin 84 lart). Menjëherë pas kësaj, më 11 Prill 2012, Gjykata Kushtetuese e shpalli vendimin jo-kushtetues, si ultra vires dhe në shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve (shiko paragrafin 76 lart). Në përgjigje të kësaj, më 16 Maj 2012, Parlamenti vendosi të ngrejë një komision ad hoc me mandatin për të hetuar, inter alia, mënyrën se si zyrtarë të departamenteve të ndryshme ekzekutive kishin kryer detyrat e tyre në lidhje me këtë çështje. Në report e tij, publikuar më 1 Nëntor 2012, komisioni vërejti, inter alia, se Zëvendës-Presidenti i mëparshëm, të cilit Presidenti i kishte deleguar kompetencën e faljes, ishte këshilluar nga një komision i posaçëm. Praktika e këtij komsioni kishte qenë e tillë që merrte informacion nga drejtori respektiv i burgut, mjeku dhe psikologu, përfshirë edhe vlerësimet psikologjike, në lidhje me të burgosurit që kishin bërë kërkesë për falje (shiko po ashtu paragrafet 85-88 lart). Megjithatë, ishte e pamundur të thuhej nëse i gjithë informacioni në dosjet personale të të burgosurve ishte reflektuar i plotë në të dhënat e paraqitura për komisionin. Ishte po ashtu e rëndësishme të theksohej se administrata presidenciale që kishte marrë detyrën në Janar 2012, kishte rritur shumë nivelin e transparencës së sistemit të faljes (shiko gjithashtu paragrafet 90-107 poshtë). Komisioni po ashtu vinte në dukje se nuk kishte kritere statutore që rregullonin vlerësimin e sjelljes apo të profilit psikologjik të një të dënuari që bënte kërkesë për falje presidenciale. Për rrjedhojë sigurimi i informacionit për këto pika ishte tërësisht në diskrecionin e zyrtarëve kompetentë. Ndaj ishte e domosdoshme që kjo gjë të rregullohej me ligj dhe të kërkohej me ligj publikimi i dekreteve presidenciale të faljes. Praktika e administratës presidenciale në detyrë, për publikimin e raporteve, ishte tërësisht e përshtatshme, por nuk mund të ishte e detyrueshme për administratat presidenciale të ardhshme.
(d) Ushtrimi i kompetencës presidenciale të faljes gjatë periudhës 2012-13
(i) Rregullat e proçedurës së brendëshme
90. Në dy dekretet e 23 Janarit 2012 Presidenti i sapozgjedhur, i cili kishte marrë detyrën një ditë më parë, vendosi, ashtu si paraardhësi i tij, t’ia delegonte kompetencën e faljes Zëvendës-Presidentit. Ai ngriti gjithashtu edhe një Komision të Faljes për ta këshilluar Zëvendës-Presidentin në ushtrimin e kësaj kompetence, si dhe përcaktoi rregullat e proçedurës për punën e Komisionit.
91. Rregulli 1(3) i kësaj Rregulloreje parashikon që, në punën e tij, Komisioni duhet të marrë parasysh, inter alia, jurisprudencën relevante të gjykatave ndërkombëtare dhe organizmave të tjerë në lidhje me interpretimin dhe zbatimin e instrumentave të të drejtave të njeriut në fuqi në Bullgari. Komisioni diskuton dy herë në muaj (Rregulli 5(2)). Çdo kërkesë për falje i caktohet një anëtari të Komisionit, i cili duhet të raportojë për të (Rregulli 4(1)(1)) brenda dy javësh (rregulli 6). Vendimet merren me shumicë, ndërsa kryetari ka të drejtën e votës vendimtare në rast votimi të barabartë (Rregulli 5(4)). Kryetari pastaj informon Zëvendës-Presidentin në lidhje me rekomandimet e Komisionit (Rregulli 4(1)(5)). Të burgosurit që kanë bërë lutje për falje duhet të informohen me shkrim në lidhje me vendimin e Zëvendës-Presidentit, dhe çdo tre muaj Komisionit i duhet të publikojë një raport të aktiviteteve të tij.
(ii) Puna e Komisionit të Faljes në 2012
92. Në praktikë, gjatë gjithë 2012-s Komisioni i Faljes ka publikuar raporte mujore të plota.
93. Më 24 Janar 2013, Komisioni publikoi raportin e tij të parë vjetor, i cili ishte aprovuar nga Zëvendës-Presidenti. Ai është një dokument i plotë që përmban informacion mbi veprimtaritë e Komisionit në vitin 2012, informacion analitik mbi tipologjinë e arsyeve mbi të cilat qenë bazuar kërkesat për falje gjatë atij viti, të dhëna statistikore, qasja e Komisionit në trajtimin e kërkesave për falje, tipologjia e përfundimeve të propozuara nga Komisioni (mos-shqyrtim i kërkesës, refuzim, ose falje e plotë apo e pjesëshme), dhe konkluzionet dhe rekomantimet e Komisionit.
94. Sipas raportit, në vitin 2012 ishin paraqitur 988 kërkesa për falje presidenciale nga 840 persona. Gjashtëdhjetë e pesë nga këta persona kishin bërë më shumë se një kërkesë. Shumica dërrmuese e kërkesave (98%) të bëra nga të burgosurit (në raport me ato të bëra nga të afërm të tyre) mbështeteshin në një apo në një kombinim të arsyeve të mëposhtme: 34% në qëndrimin e autorit të veprës ndaj veprës së tij apo të saj, disa prej të cilëve shprehnin keqardhje, të tjerë përpiqeshin të përligjnin aktet e tyre apo kundërshtonin korrektësinë e vendimeve apo dënimeve të tyre; 18% në rehabilitimin e të dënuarit pas futjes në burg; 48% në arsye humanitare (vështirësi familjare, nevoja për t’u kujdesur për fëmijët apo të afërm të moshuar, nevoja për t’u ribashkuar me pjestarët e familjes, probleme shëndetësore, mosha e vjetër); dhe 7% përpiqeshin t’i portretizonin të burgosurit si viktima të burgut, gjykatave apo të sistemit, ku disa kërkesa citonin efektet negative të mbajtjes në burg apo pamundësinë për zhvillim personal në burg. Pjesa e mbetur prej 2% e kërkesave nuk citonin arsye specifike. Vetëm katër kërkesa nuk ishin depozituar nga vetë personi i interesuar, por nga një përfaqësues ligjor.
95. Në 2012, Komisioni kishte mbajtur tridhjetë e tre raunde diskutimesh, tre deri pesë herë në muaj.
96. Praktika e Komisionit kishte qenë e mbështetur mbi idenë se falja përbënte një mjet subsidiar për shkurtimin e dënimit dhe ishte e zbatueshme vetëm në situata në të cilat, nga njëra anë, nuk kishte mënyra të tjera për lehtësimin e represionit penal e, nga ana tjetër, ekzekutimi i vazhduar i dënimit ishte moralisht i pajushtifikueshëm dhe në kundërshtim me frymën e ligjit në atë që, për shkak të rrethanave të krijuara pas dënimit, situata e të dënuarit ishte bërë e pazakontë dhe ekzekutimi në vazhdim i dënimit nuk kishte efektet përfituese të synuara, por bëhej represiv në mënyrë të panevojshme dhe në kundërshtim me qëllimet humane të politikës penale.
97. Në shqyrtimin e çdo kërkese për falje, Komisioni i kishte kushtuar vëmendje tërësisë së rrethanave të të burgosurit: ekzistenca e një modeli kriminal të sjelljes dhe karaketistikat e tij; serioziteti i veprës; veçantitë e mjedisit kriminal; motivet e veprës; sjellja pas kryerjes së veprës penale; rekordi penal, sëbashku me efektshmërinë e sanksioneve të mëparëshme penale; viktimat; kohën që kishte kaluar nga kryerja e veprës penale deri sa dënimi dhe vendimi ishte bërë përfundimtar; çdo ndërprerje në kryerjen e dënimit; pjesën e kryer të dënimit dhe mënyrën si ishte kryer; mundësitë e të burgosurit për zhvillim personal, përfshirë riskun për vepër tjetër penale; suksesin e procesit korrektues; shkallën në të cilën qenë përmbushur synimet e ndëshkimit; ekzistenca e personave apo institucioneve që mund të bëjnë risocializimin e të burgosurit; gjendja shëndetësore e të burgosurit dhe efektet e saj në kryerjen e dënimit; situatën familjare të të burgosurit dhe efektet e saj në detyrimet e tij/saj ligjore e morale (gjendja shëndetësore dhe mosha e anëtarëve të familjes së të burgosurit, ose ekzistenca e ndonjë shtatzanie, fëmijë të vegjël apo pjestarë familje të papunë); çdo ndryshim në ligj pas dhënies së dënimit, që anullon apo redukton përgjegjësinë penale për aktet e kryera nga i burgosuri; dhe ekzistenca e mjeteve të tjera për lehtësimin e represionit penal.
98. Komisioni i kishte propozuar Zëvendës-Presidentit faljen e tre të burgosurve.
99. Njëri prej tyre kishte qenë një pesëdhjetë e tetë vjeçar, i dënuar me vdekje në vitin 1990 për vrasje, shkaktim dëmtimesh serioze në trup dhe përdhunim, dënimi me vdekje i të cilit ishte kthyer në dënim me burgim të përjetshëm në vitin 1999, pas heqjes së dënimit me vdekje në Bullgari (shiko paragrafin 58 lart). Në vitin 2012 ai kishte kërkuar që dënimi i tij të kthehej në burgim të përjetshëm, duke përmendur se ishte penduar, si dhe sjelljen e mirë dhe aspektin çnjerëzor në dënimin e tij. Komisioni kishte vërejtur se ai tashmë kishte bërë njëzet e dy vite burg, tetëmbëdhjetë nga të cilat në qeli më vete, në regjimin special të zbatueshëm për të dënuarit me burgim të përjetshëm (shiko paragrafet 115, 116, 118 dhe 121 poshtë). Komisioni e kishte analizuar rastin e tij për gjashtë muaj dhe kishte konstatuar një rrethanë të posaçme - ndryshime pozitive të qëndrueshme në personalitetin e tij. - që e bënte të patolerueshme për të vazhdimin e vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm. Ky zhvillim qe konstatuar pa asnjë ekuivok në bazë të dokumentacionit në dispozicion, raporteve të ekspertëve që kishin punuar me të burgosurit gjatë gjithë kohës së tij në burg, një raporti special të psikologut siguruar nga Komisioni, dhe një vlerësimi, në bazë të disa metodave, të rrezikut për të kryer sërish krim. Të gjitha këto tregonin se i burgosuri ishte shumë i ndryshëm nga të burgosurit e tjerë me burgim të përjetshëm dhe të burgosurit me dënime të gjata. Prirjet e tij kriminale i kishin lënë vendin dhembshurisë për të burgosurit e tjerë dhe rikonsiderimit të veprave të tij. Profili i të burgosurit tregonte për një proces të suksesshëm korrektimi, që ishte i rrallë për personat të dënuar për vepra të ngjashme dhe për të dënuarit për një periudhë shumë më të shkurtër se koha e kryer tashmë prej tij në burg. Këta faktorë e vendosnin atë jashtë sferës së veprimit të Nenit 38 § 1 të Kodit Penal të vitit 1968 (shiko paragrafin 60 lart).
100. Komisioni kishte mbërritur në përfundmin se ndryshimi i dënimit të këtij të burgosuri në burgim të përjetshëm do t’i shërbente synimeve të ndëshkimit dhe nuk do të pakësonte dënimin moral të akteve të tij. Ndryshimi i dënimit nuk ishte i barazvlershëm me faljen e të shkuarës së tij kriminale por përbënte një njohje të përpjekjeve të tij për ta distancuar veten nga e shkuara. Ai do t’i demonstronte po ashtu të gjithë personave të tjerë të dënuar më burgim përë gjithë jetën se kishin mundësi të përmirësonin situatën e tyre, pasi përpjekjet e tyre do të njiheshin nga shoqëria, e cila vazhdonte t’i konsideronte ata si pjestarë të saj. Së fundi, ndryshimi i dënimit nga burgim për gjithë jetën në burgim të përjetshëm nuk krijonte rrezikshmëri për vepër tjetër penale.
101. Komisioni i kishte propozuar Zëvendës-Presidentit ndryshimin e dënimit në 20 Dhjetor 2012, dhe Zëvendës-Presidenti kishte rënë dakord me propozimin dhe e kishte bërë këtë gjë me dekretin e datës 21 Janar 2013.
102. Më 11 Shkurt 2013, një gazetë e përditshme kombëtare,, 24 Hours, botoi një artikull për të burgosurin. Artikulli thoshte, inter alia, se personi i cili kishte bërë të mundur reformimin e tij kishte qenë një inspektor burgu në pension, i cili kishte punuar me të për rreth pesëmbëdhjetë vite. Kështu i burgosuri ishte bindur se gjithkush mund të ndryshojë, nëse rastis të takojë njerëzit e duhur dhe për këtë arsye ndihmonte të burgosurit e tjerë.
(iii) Puna e Komisionit të Faljes në 2013
103. Gjatë gjithë 2013-s Komisioni i Faljes vazhdoi të botonte raportet mujore duke dhënë të dhëna statistikore dhe informacion të hollësishëm mbi arsyet që qëndronin në bazë të propozimeve të tij për falje drejtuar Zëvendës-Presidentit. Sipas informacionit në faqen e internetit të Komisionit, 419 persona kishin depozituar 475 kërkesa për falje në vitin 2013, dhe Komisioni i kishte propozuar Zëvendës-Presidentit faljen e tre të burgosurve. Ai kishte marrë gjashtë kërkesa nga persona që vuanin dënimin me burgim për gjithë jetën. Në raportin e tij për periudhën Korrik-Gusht 2013, Komisioni shprehej se kishte shqyrtuar dy nga këto kërkesa dhe kishte rekomanduar refuzimin e tyre, pasi personat në fjalë nuk kishin treguar progres të mjaftueshëm drejt rehabilitimit.
104. Raporti vjetor i Komisionit për vitin 2013 u botua në Shkurt 2014. Ashtu si edhe raporti i Komisionit për 2012-n, ai është një dokument i plotë që përmban informacion për veprimtaritë e Komisionit në vitin 2013, informacion analitik mbi arsyet ku bazoheshin kërkesat për falje depozituar gjatë atij viti, të dhëna statistikore, qasjen e Komisionit në trajtimin e kërkesave për falje, tipologjinë e përfundimeve të propozuara nga Komisioni (mos-shqyrtim të kërkesës, refuzim, apo falje të plotë ose të pjesëshme), si dhe konkluzionet dhe rekomandimet e Komisionit.
105. Sipas raportit, në 2013-n, Komisioni kishte trajtuar 587 kërkesa për falje (afërsisht dyzet e pesë në muaj) depozituar nga 420 persona. Përveç njëzet e tre, gjithë të tjerat ishin nga të burgosur.. 387 të dënuar i kishin depozitur kërkesat personalisht, në tridhjetë e katër raste kërkesat ishin depozituar nga të afërm, dhe në njëmbëdhjetë raste nga përfaqësues ligjorë. 31% e kërkesave bazoheshin në të ashtuquajturin shlyerje e fajit nga i dënuari; 33% në pretendimin për ashpërsi të tepruar të dënimit, në të ashtuquajturën mosnjohje e faktit se i/e burgosura ishte reformuar, dhe mungesën e mundësisë për zhvillim personal në burg; 68% në arsye humanitare (mosha e vjetër, sëmundje, nevoja për t’u kujdesur për të afërm të sëmurë, varfëria, nevoja për të ndihmuar pjestarë të familjes); 4% tek rehabilitimi i provuar, puna në burg, pretendimi për sjellje të mirë, dhe fakti se ishte vuajtur më shumë se gjysma e dënimit; 16% tek pretendimi për dënim të tepruar, kohëzgjatje të tepruar të procesit penal, pretendim për moskorrektësi të dënimit, etj.; dhe 8% tek pretendimi për pafajësi.
106. Në vitin 2013, Komisioni kishte bërë tridhjetë e dy raunde diskutimesh.
107. Në vitin 2013, Komisioni i ishte përmbajtur plotësisht praktikës së mëparëshme dhe kishte marrë parasysh të njëjtët faktorë (shiko paragrafin 97 lart) në trajtimin e kërkesave për falje. Ai i kishte propozuar Zëvendës-Presidentit faljen për nëntë të burgosur; deri në 21 Janar 2014, Zëvendës-Presidenti kishte pranuar shtatë nga këto propozime dhe kishte hedhur poshtë njërin. Raporti jepte një përmbledhje të arsyeve të paraqitura për secilin propozim.
C. Parime të përgjithëshme në lidhje me kushtet e burgimit
108. Neni 31 § 5 i Kushtetutës së 1991-shit siguron që të burgosurit duhet të mbahen në kushte që lejojnë ushtrimin prej tyre të atyre të drejtave themelore që nuk kufizohen për shkak të dënimit të tyre.
109. Seksioni 8(2)(1) i Aktit të Ekzekutimit të Dënimeve të vitit 1969, sipas formulimit pas Qershorit 2002, parashikon rehabilitim e të burgosurve, inter alia, përmes mbajtjes së tyre në kushte që garantojnë shëndetin e tyre fizik dhe mendor dhe dinjitetin e tyre njerëzor.
110. Seksioni 3(1) i Aktit të Ekzekutimit të Dënimeve dhe të Paraburgimit të vitit 2009, i cili, më 1 Qershor 2009, zëvendësoi atë të vitit 1969, parashikon që të burgosurit nuk mund t’i nënshtrohen torturës apo trajtimin mizor ose çnjerëzor. Seksioni 3(2) përkufizon torturën dhe trajtimin çnjerzor dhe degradues si (a) çdo akt apo mosveprim i qëllimshëm që shkakton dhimbje të fortë fizike ose vuajtje, përveç atyre që janë pasojë e përdorimit të forcës, mjeteve ndihmëse apo armëve të zjarrit të lejuara sipas Ligjit; (b) vendosja e qëllimshme në kushte të varfra heqje lirie, me hapësirë të pamjaftueshme për të jetuar, pamjaftueshmëri ushqimi, veshje, ngrohje, ndriçimi, ventilimi, kujdesi mjeksor, mundësish për ushtrim fizik, izolim të gjatë pa kontakt njerëzor, apo akte të tjera të dënueshme apo mosveprime që janë në gjendje të dëmtojnë shëndetin e një personi; (c) trajtim poshtërues që cënon dinjitetin njerëzor të të dënuarit, e shtrëngon atë të kryejë apo pësojë veprime kundër vullnetit të tij, apo zgjojnë tek ai ndjenjën e frikës, dobësisë apo inferioritetit. Seksioni 3(3) parashikon që të tilla veprime apo mosveprime përfshijnë ato të kryera nga një zyrtar publik ose nga çdo person tjetër me nxitjen apo me tolerimin në heshtje, hapur apo të nënkuptuar, të një zyrtari publik.
111. Seksioni 40(2)(1) parashikon rehabilitimin e të burgosurve, inter alia, duke siguruar mbajtjen e tyre në kushte që garantojnë shëndetin e tyre fizik dhe mendor dhe dinjitetin e tyre njerëzor.
112. Seksioni 90(6) ((5) përpara 1 Janarit 2013) parashikon që të burgosurit nuk bëhen përgjegjës nga pikëpamja disiplinore për depozitim kërkesash apo ankesash.
D. Vlerësimi i riskut të të burgosurve
113. Seksioni 47(1) i Ligjit për Ekzekutimin e Dënimeve dhe Paraburgimin i 2009-s parashikon që të burgosurit, në mbërritje, duhet të vendosen në një seksion pritjeje, ku duhet të qëndrojnë dy javë deri në një muaj. Brenda dy ditësh nga mbërritja e të burgosurit në këtë seksion, administrata e burgut duhet të përpilojë dosjen e tij/saj personale (seksioni 54(1) i Aktit dhe Rregullit 31(1) të Rregullores Zbatuese të Aktit, lëshuar më 2 Shkurt 2010). Seksioni 55(2) i Aktit parashikon që përpara largimit të të burgosurit nga ky seksion, punonjësi social, mjeku dhe psikologu i burgut duhet të hartojnë një vlerësim të personalitetit të tij/ saj, gjendjes shëndetësore dhe kapacitetit për të punuar, dhe të japin rekomandime për punën në grup apo individuale me të burgosurin. Që nga 1 Janari 2013, kjo pikë është amenduar duke parashikuar që ky vlerësim duhet të mbulojë edhe riskun për vepër tjetër penale apo dëmtim. Në të njëjtën kohë, seksionit 55 i është shtuar një pikë e re 3, që parashikon se të burgosurit që vuajnë dënim me burgim të përjetshëm ose për gjithë jetën, ose me më shumë se dhjetë vjet burg, ose të burgosurit, risku i të cilëve është vlerësuar si "shumë i lartë" ose "i lartë", në të gjithë rastet duhet t’i nënshtrohen vlerësimit psikologjik. Për të burgosurit e tjerë, ky vlerësim mund të bëhet me kërkesë të inspektorit të burgut për aktivitetet sociale dhe riedukimin.
E. Regjimi i të burgosurve me burgim të përjetshëm
1. Sipas Aktit të Ekzekutimit të Dënimeve të 1969-s
114. Deri në 1 Qershor 2009, regjimi i të burgosurve të përjetshëm rregullohej nga seksionet 127a-127e të Aktit të Ekzekutimit të Dënimeve të 1969-s, shtuar në vitin 1995 kur burgimi i përjetshëm ishte shtuar si një formë ndëshkimi (shiko paragrafin 56 lart), dhe nga regullorja zbatuese e Aktit, lëshuar në 1990-n dhe amenduar më pas disa herë. Pas amendimeve që hynë në fuqi nga Qershor 2002, Akti parashikonte se personat e dënuar me burgim për gjithë jetën duhej të vendoseshin në të njëjtin regjim me ata me burgim të përjetshëm.
115. Seksioni 127b (1) parashikonte që kur jepte një dënim me burgim të përjetshëm, gjykata duhet të urdhëronte vendosjen e të burgosurin në regjimin më të ashpër, i ashtuquajtur "regjim special". Regjimet e tjera, të zbatueshme për të bugosurit për një periudhë të caktuar ishin regjim "i lehtë”, “i përgjithshëm”, “i rreptë” dhe “i përforcuar” (seksioni 43(1)); në ndryshim me burgimin e përjetshëm, gjykata dënuese kishte një lloj diskrecioni në përcaktimin e llojit të regjimit (seksioni 51). Të burgosurit që janë duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm ose për gjithë jetën, dhe të vendosur në "regjim special", mbaheshin në qeli teke të kyçura dhe i nënshtroheshin një niveli të lartë sigurie dhe mbikqyrje (rregullore 56(1), 167c dhe 167d(1)). Ndërsa “regjimi i theksuar” konsistonte në mbajtjen e të burgosurve në qeli të kyçura gjatë natës dhe moslejimin e angazhimit të tyre në punë mirëmbajtjeje në burg apo çdo punë tjetër jashtë tij (rregullore 55(1) dhe (4)). Të burgosurit e vendosur në “regjim të theksuar”, me urdhër të drejtorit të burgut, mund të mbahen përgjithmonë në qeli të kyçur në qoftë se, për arsye të seriozitetit të veprës apo gjatësisë së dënimit, ata mund të konsiderohen si të rrezikshëm, ose në rast se ata në mënyrë të manifestuar dhe sistematike nuk kanë respektuar rregullin e brendshëm apo kanë patur një ndikim negativ tek të burgosurit e tjerë (rregullore 56(1)).
116. Në bazë të seksionit 127b(2) dhe rregullores 167d(2), pasi kanë bërë pesë vjet burg nga vuajtja e dënimit, të burgosurit me burgim të përjetshëm, nëse kanë patur sjellje të mirë, mund të viheshin në një regjim më të lehtë. Në këtë periudhë nuk llogaritej koha e shpenzuar më parë në para-burgim (rregullore 167(2)). Vendimin për vendosjen e një të burgosuri të përjetshëm në një regjim më të lehtë e merrte një komision i posaçëm që përbëhej nga personel i burgut dhe disa zyrtarë të tjerë (seksioni 17(1) dhe (5)(1)); në të kundërt, vendimi për vendosjen e çdo të burgosuri në një regjim më të ashpër merrej nga gjykata rajonale, me propozim të këtij komisioni (seksioni 17(5)(2)). Të gjithë propozimet në këtë drejtim duhet të bazoheshin në vlerësimin e riskut që i burgosuri paraqiste për veten, të burgosurit e tjerë dhe personelin e burgut (seksioni 17a). Në bazë të seksionit 58, vendimet e komisionit mund të hidheshin poshtë nga Ministri i Drejtësisë. Pas vendosjes në "regjim të rreptë", një i burgosur i përjetshëm, në rast se konsiderohet se nuk përbën rrezik për veten, të burgosurit e tjerë apo personelin e burgut, mund të mbahet me të gjithë të burgosurit e tjerë, me vendim të të njëjtit komision (seksioni 127b(4), shtuar në Qershor 2002).
2. Në kuadër të Aktit të Ekzekutimit të Dënimeve dhe Para-Burgimit të vitit 2009
117. Në Qershor 2009 dhe Shkurt 2010, Akti i 1969-s dhe rregullorja zbatuese u zëvendësuan nga, respektivisht, Akti i Ekzekutimit të Dënimeve dhe Para-burgimit i 2009-s dhe rregullorja zbatuese, lëshuar më Shkurt 2010.
118. Seksioni 61(1) i Aktit të 2009-s parashikon që, kur gjykata dënon një individ me burgim për gjithë jetën apo të përjetshëm, ajo duhet të vendosë që ai apo ajo të vihet në "regjim special" (tre regjimet e zbatueshme në burg janë “regjimi special”, “regjimi i ashpër” dhe “regjimi i përgjithshëm” – seksioni 65(2)). Në bazë të seksionit 71(2), personat e vendosur në “regjim special” duhen mbajtur në qeli të kyçura gjithmonë dhe nën mbikqyrje të lartë. Seksioni 71(3), i cili u shtua në Dhjetor 2012 dhe hyri në fuqi në 1 Janar 2013, siguron që personat e dënuar me burgim për gjithë jetën ose të përjetshëm dhe të vendosur në “regjim të rreptë” duhen mbajtur po ashtu në qeli gjithmonë të kyçura dhe në mbikqyrje të lartë, në rast se, sipas kërkesave të seksionit 198(2) (shiko paragrafin 121 poshtë), nuk është e mundur të mbahen me pjesën tjetër të të burgosurve. Sipas shënimit shpjegues për këtë amendament, dispozita e re ishte e nevojshme për të shmangur ankimimet e bëra nga të burgosur me burgim të përjetshëm për mbajtjen mbas dyersh gjithmonë të kyçura edhe pse regjimi i tyre ishte ndryshuar nga "special" në "i rreptë" (shiko paragrafet 130-134 poshtë).
119. Seksionet 197-99 merren në mënyrë specifike me regjimin e të burgosurve me burgim për gjithë jetën ose të përjetshëm.
120. Seksioni 197(1) parashikon që këto dy dënime duhen vuajtur në burgje të ndërtuara për këtë qëllim ose, në pamundësi të tyre, në njësi të ndara të burgjeve të tjera. Seksioni 197(2) siguron që në mungesë të dispozitave të posaçme të zbatueshme për të burgosurit e përjetshëm, dispozitat që rregullojnë dënimet e tjera me heqje lirie, janë të zbatueshme edhe për ta.
121. Seksioni 198(1) parashikon se një i burgosur me burgim të përjetshëm mund të vendoset në një regjim më të lehtë në rast se ai apo ajo ka shfaqur sjellje të mirë dhe ka vuajtur jo më pak se pesë vjet nga dënimi. Seksioni 198(2) parashikon që të burgosurit e përjetshëm mund të vendosen në të njëjtin regjim me popullsinë e përgjithëshme të burgut dhe të marrë pjesë në punë të përbashkët, trajnim, veprimtari edukuese, sport ose aktivitete të tjera me vendim të Komisionit të Ekzekutimit të Dënimeve në bazë të vlerësimit të personalitetit, me kusht që të jenë kaluar në “regjim të rreptë”. Komisioni përbëhet nga drejtori i burgut, një anëtar i bordit mbikqyrës, zëvendës-drejtori i burgut përgjegjës për sigurinë, shefi i departamentit social dhe edukues të burgut dhe psikologu i burgut (seksioni 73(1)). Ai mblidhet për të diskutuar të paktën dy herë në muaj (rregullore 55(1)).
122. Seksioni 199(1) parashikon që të burgosurit e përjetshëm nuk mund të vendosen në "regjim të përgjithshëm" apo t’u jepen kushte që nuk janë të mundura brenda burgut. Seksioni 199(2) parashikon që personat e dënuar me burgim të përjetshëm e që dënimi u është ulur nga një gjykatë në dënim për një periudhë me afat të caktuar (shiko paragrafin 71 lart), mund të transferohen nga burgu në një institucion penitenciar të hapur, ku mund të vendosen në “regjim të përgjithshëm” ose “regjim të lehtë” (i cili është i mundur vetëm në insitucione penitenciare të hapura - seskioni 65(3)).
123. Regjimi i të burgosuerve të përjetshëm rregullohet, po ashtu, nga dispozitat 213-220 të rregullores zbatuese të Aktit të 2009-s. Rregullimi ligjor për burgimin për gjithë jetën është i njëjtë me atë të burgimit të përjetshëm (rregull 220).
124. Rregulli 213 parashikon që të burgosurit e përjetshëm duhet të mbahen në burgje të ndërtuara për këtë qëllim apo në njësi të ndara të sigurisë së lartë në burgje të tjera. Ai parashikon gjithashtu që të burgosurit e përjetshëm duhen mbajtur në qeli gjithmonë të kyçura dhe nën mbikqyrje të lartë, dhe mund të marrin pjesë vetëm në aktivitete të përbashkëta me të burgosur të tjerë të së njëjtës kategori.
125. Rregulli 214 parashikon që të burgosurit e përjetshëm duhen mbajtur të izoluar nga të burgosurit e tjerë edhe gjatë transferimeve, trajtimit mjekësor, vizitave, aktiviteteve në ambient të hapur apo në raste të tjera kur dalin nga qelia.
126. Rregulli 216(1) parashikon që të bugosurit e përjetshëm mund të punojnë në qelitë e tyre ose në vende pune të ngritura për këtë qëllim, nëse ekziston një gjë e tillë. Në ndryshim me këtë, seksioni 71(1) parashikon që, sa u takon të burgosuerve të tjerë, ata mund të punojnë në zonën e burgut përkatës apo të fjetores dhe, në raste përjashtimore, në vende të sigurta jashtë burgut. Ditët e punës të bëra nga të burgosurit e përjetshëm regjistrohen (rregulli 216(2)). Megjithatë, në bazë të Nenit 38a § 4 të Kodit Penal të 1968-s, në fuqi që nga viti 1995, puna e bërë nga një i burgosur i përjetshëm nuk bën që ai të përfitojë pikë për lirim të parakohshëm; kjo është në kontrast të thellë me pozicionin e të burgosurve që kryejnë një dënim me afat të caktuar kohor, për të cilët dy ditë punë llogariten si tre ditë burg për qëllim të lirimit të parakohshëm (Neni 41 § 3 i po këtij Kodi).
127. Rregulli 217, i cili i bën jehonë seksionit 198(2) të Aktit (shiko paragrafin 121 lart), parashikon që të burgosurit e përjetshëm mund të mbahen me popullatën e përgjithëshme të burgut dhe të marrin pjesë në punë të përbashkët, trajnim, aktivitete edukative, sport apo aktivitete të tjera me vendim të Komisionit të Ekszekutimit të Dënimeve në bazë të një vlerësimi të personalitetit, me kusht që të jenë vënë ndërkohë në “regjim të rreptë”.
128. Rregulli 218, i cili i bën jehonë seksionit 198(1) të Aktit (shiko paragrafin 121 lart), parashikon që një i burgosur i përjetshëm mund të vihet në një regjim më të lehtë në rast se ai apo ajo ka shfaqur sjellje të mirë dhe ka kryer jo më pak se pesë vjet nga dënimi (periudha e paraburgimit nuk llogaritet).
129. Rregulli 219(1), i cili i bën jehonë seksionit 197(1) të Aktit (shiko paragrafin 120 lart), parashikon që për një periudhë pesë-vjeçare, pasi dënimi i tyre është bërë i formës, të burgosurit e përjetshëm mund të vendosen në njësi të posaçme të burgjeve ekzistuese ose në burgje të ngritura për këtë qëllim, sipas përcaktimit të bërë nga Ministri i Drejtësisë. Gjatë kësaj periudhe, i burgosuri është në ngarkim të një ekipi të posaçëm (rregulli 219(2)). Pas skadimit të këtij afati, dhe pas një vlerësimi të përgjithshëm të të burgosurit, ai ose ajo mund të vendoset në një burg tjetër dhe në kushte të tjera (rregulli 219(3)).
3. Kundërshtimi ligjor në lidhje me rregulloren zbatuese të Aktit të 2009-s
130. Në vitin 2010, dy të burgosur të përjetshëm kundërshtuan në gjykatë rregullin 213, 214 dhe 219 të rregullores zbatuese të Aktit të 2009-s. Ata argumentuan se ato binin në kundërshtim me dispozitat e Aktit.
131. Në një vendim të 28 Marsit 2011 (реш. № 4373 от 28 март 2011 г. по адм. д. № 10758/2010 г., ВАС, І о.) një panel me tre antarë i Gjykatës Administrative Supreme e pranoi kundërshtimin. Ai konstatoi se Ministri i Drejtësisë nuk kishte ndjekur proçedurën e duhur për nxjerrjen e rregullores. Veçanërisht, ai nuk kishte botuar projekt-rregulloren në faqen elektronike të Ministrisë me qëllim vënien e saj në dispozicion të publikut dhe marrjen e komenteve, siç kërkohej në bazë të seksionit 26(2) të Aktit të 1973-shit të Akteve Normative. Kjo kishte qenë një shmangie serioze. Paneli konstatoi më tej se rregulli 213, për aq sa kërkonte që të burgosurit e përjetshëm të mbaheshin gjithmonë në qeli të kyçura, ishte në kundërshtim me Seksionin 197(1) të Aktit të 2009-s (shiko paragrafet 120 dhe 124 lart), pasi përcaktonte një kërkesë që nuk rridhte nga teksti i ligjit: një rregull i tillë mund të specifikonte vetëm mënyrën e zbatimit të kërkesave që rridhnin nga teksti i ligjit. Rregulli 213 nuk mund të konsiderohej as i bazuar në ndonjë seksion tjetër të Aktit të 2009-s. Pjesa e mbetur e rregullit 213, si dhe rregullat 214 dhe 219 (shiko paragrafët 124, 125 dhe 129 lart), nuk ishin në kundërshtim me dispozitat e Aktit të 2009-s.
132. Pas apelimit të Minsitrit, në një vendim përfundimtar të datës 14 shtator 2011 (реш. № 11411 от 14 септември 2011 г. по адм. д. № 6341/2011 г., ВАС, петчл. с-в) një panel me pesë antarë i Gjykatës Administrative Supreme e hodhi poshtë vendimin e panelit me tre antarë. Ai u shpreh se mospublikimi i projekt-rregullores në faqen e Ministrisë nuk përbënte shkelje materiale të rregullave të proçedurës. Ai u shpreh më tej se rregulli 213 nuk binte në kundërshtim me dispozitat e Aktit 2009, pasi ai mund të konsiderohej si i bazuar në seksionin 197(1), i lexuar në lidhje me seksionin 71(1) të Aktit (shiko paragrafin 118 lart). Ky i fundit ishte i zbatueshëm për të gjithë të burgosurit e vënë në “regjim special” dhe kërkonte që ata të mbaheshin në qeli të ndara dhe gjithmonë të kyçura.
133. Dy gjyqtarë nuk u pajtuan duke thënë se mospublikimi nga ana e Ministrisë i projekt-rregullores në faqen e saj elektronike kishte qenë në fakt një mangësi serioze dhe kishte cënuar procesin e miratimit të rregullores.
134. Si rezultat i rrëzimit të kundërshtimit ligjor, dy pretendimet për dëmtim, të ngritura nga po këta të burgosur të përjetshëm në bazë të seksionit 1 të Aktit/Ligjit të 1988-s për Përgjegjësinë e Shtetit dhe Pushteti Vendor për Dëmin (shiko paragrafin 136 poshtë) dhe bazuar në vuajtjen gjoja të pësuar si rezultat i regjimit të tyre të varfër, u hodhën poshtë si të papranueshme nga Gjykata Administrative Supreme (shiko опр. № 3355 от 7 март 2012 г. по адм. д. № 3154/ 2012 г., ВАС, петчл. с-в, and опр. № 5065 от 6 април 2012 г. по адм. д. № 14339/2011 г., ВАС, петчл. с-в). Gjykata u shpreh se këto pretendime mund të pranoheshin vetëm nëse instrumenti ligjor ndaj të cilit ngriheshin ato, ishte anulluar nga një proces i mëparshëm, gjë që nuk kishte ndodhur.
4. Standardet kombëtare për trajtimin e të burgosurve të përjetshëm
135. Më 2 Shkurt 2007, Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Dënimeve ka miratuar, për të parën herë në Bullgari, "Standardet Kombëtare për trajtimin e të burgosurve të përjetshëm". Qëllimi i këtyre standardeve është "përcaktimi i një modeli efektiv për trajtimin e të burgosurve të përjetshëm, që garanton mbështetje konkrete për ruajtjen e tyre fizike dhe mendore dhe siguron mbrojtjen e shoqërisë dhe të personelit të burgut”. Ato përcaktojnë, mes të tjerash, kërkesa minimale për kushtet materiale në të cilat duhen mbajtur këta të burgosur, rregullimet e zbatueshme të sigurisë dhe mënyrën si duhen trajtuar të burgosurit e përjetshëm. Ato kërkojnë nga autoritetet e burgut të sigurojnë, atje ku është e mundur dhe brenda kufizimeve që rrjedhin nga rregullimet e zbatueshme të sigurisë, që të burgosurve me dënim të përjetshëm t’u sigurohet punë, edukim (pëfshirë, nëse është e mundur, mësim në distancë), zhvillim social, kujdestari, programe për mirëmbajtjen e shëndetit të tyre fizik e mendor, dhe kujdes shëndetsor. Standardet thonë, inter alia, se të gjithë të burgosurit me dënim të përjetshëm duhen regjistruar në programe adaptimi me orjentimin për t’i aftësuar ata për të pranuar situatën e tyre, duke krijuar një sens perspektive, duke inkurajuar ndihmën ndaj vetvetes, ruajtjen e kontakteve sociale, duke nxitur pjesmarrjen e tyre në aktivitete të ndryshme, dhe duke neutralizuar çdo simptomë depresive e psikosomatike. Standardet gjithashtu thonë se të burgosurit e përjetshëm duhet të kenë plane individuale të dënimit dhe vlerësime periodike, si dhe mundësinë për të diskutuar me administratën e burgut. Sipas standardeve, të burgosurit me dënim të përjetshëm duhet të kenë akses në aktivitete kulturore e sportive, bibliotekën e burgut, periodikët, televizor dhe radio, shërbimet fetare dhe aktivitetet në grup. Megjithatë, standardet nuk duket se përmendin në njëfarë mënyre programet korrektuese dhe rehabilituese.
...
III. MATERIALE RELEVANTE NDËRKOMBËTARE
A. Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Politike dhe Civile i vitit 1966
157. Pakti Nderkombëtar i 1966-s për të Drejtat Politike dhe Civile (999 UNTS 71) u nënshkrua nga Bullgaria në 8 Tetor 1968 dhe u ratifikua në 21 Shtator 1970; Ai hyri në fuqi, me përjashtim të Nenit 41, në 23 Mars 1976. U botua në Gazetën Shtetërore Bullgare në 28 Maj 1976 (обн., ДВ, бр. 43 от 28 май 1976 г.), që do të thotë se në bazë të Nenit 5 § 4 të Kushtetutës së 1991-shit, ai është pjesë e ligjit të brendshëm. Neni 10 i Paktit parashikon, për aq sa është relevant:
“1. Të gjithë personat e privuar nga liria, duhet tё trajtohen me humanizёm dhe respekt pёr dinjitetin e lindur tё njeriut.
2. ...
3. Sistemi ndёshkimor – korrektues pёrmban njё trajtim tё tё dёnuarёve qё ka pёr qёllim thelbёsor riedukimin dhe riintegrimin e tyre nё shoqёri. ...”
158. Në Komentin e tij të Përgjithshëm No. 21 mbi Nenin 10 (Trajtimi Human i Personave të Privuar nga Liria e Tyre General Comment No. 21 on Article 10 (Humane Treatment of Persons Deprived of Their Liberty), miratuar në takimin e tij të 1141-të (seanca e dyzetekatërt) më 6 Prill 1992, Komiteti i të Drejtave të Njeriut u shpreh, në paragrafin 10, se “[as]një sistem penitenciar nuk duhet të jetë vetëm ndëshkues; ai në thelb duhet të kërkojë riedukimin dhe riintegrimin në shoqëri të të burgosurit”.
B. Instrumentet e Këshillit të Europës
1. Rregullat Europiane të Burgjeve
159. Rregullat Europiane të Burgjeve janë rekomandime të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për Shtetet antare mbi standardet minimale për t’u zbatuar në burgje. Rregullat Europiane të Burgjeve të vitit 1987 (paraqitur si shtojcë e Recommendation No. R (87) 3) u miratuan në 12 Shkurt 1987. Në 11 Janar 2006, Komiteti i Ministrave, duke vërejtur se Rregullat e 1987-s “kishin nevojë të rishikoheshin dhe përditësoheshin me qëllim reflektimin e zhvillimeve që kishin ndodhur në politikën penale, praktikën e dënimeve dhe menaxhimin në tërësi të burgjeve në Europë”, miratoi Recommendation Rec(2006)2 mbi Rregullat Europiane të Burgjeve. Versioni i ri i 2006-s ishte shtojcë e këtij Rekomandimi. Ai lexon si më poshtë:
“Pjesa I
Parimet bazë
1. Të gjithë personat e privuar nga liria duhet të trajtohen me respekt për të drejtat e tyre të njeriut.
2. Personat e privuar nga liria i ruajnë të gjitha të drejtat që nuk u janë hequr në mënyrë të ligjshme nga vendimi që i dënon me burg.
3. Kufizimet e vendosura për personat e privuar nga liria duhet të jenë minimumi i domosdoshëm dhe proporcionale me objektivin legjitim për të cilin janë vënë.
4. Kushtet e burgut që shkelin të drejtat e njeriut të të burgosurve, nuk mund të justifikohen me mungesën e burimeve.
...
6. Burgimi duhet menaxhuar në mënyrë të tillë që të mundësojë riintegrimin e personave të privuar nga liria në shoqërinë e lirë.
...
Pjesa II
Kushtet e burgimit
...
Regjimi i burgut
25.1. Regjimi i siguruar për të gjithë të burgosurit duhet të ofrojë një program të balancuar aktivitetesh.
25.2. Ky regjim duhet t’u lejojë të gjithë të burgosurve të kalojnë jashtë qelive të tyre aq orë sa është e domosdoshme për një nivel të përshtatshëm ndërveprimi njerëzor e social.
25.3. Ky regjim duhet t’i përgjigjet gjithashtu edhe nevojave të të burgosurve për mirëqenie.
...
Lirimi i të burgosurve
33.3. Të gjithë të burgosurit duhet të përfitojnë nga rregullimet e planifikuara për të ndihmuar integrimin e tyre në shoqërinë e lirë pas lirimit.
...
Siguria
51.1. Masat e sigurisë të zbatueshme për të burgosur të caktuar duhet të jenë minimumi i domosdoshëm për garantimin e sigurisë së tyre në burg.
...
51.3. Sa më shpejt të jetë e mundur pas mbërritjes së tyre në burg, të burgosurit duhet të vlerësohen për të përcaktuar:
a. riskun që ata paraqesin për komunitetin në rast arratisje;
b. riskun pë t’u arratisur vetë, ose me ndihmë nga jashtë.
51.4. Çdo i burgosur duhet të mbahet në kushte sigurie të përshtatshme për këto nivele risku.
51.5. Niveli i sigurisë së nevojshme do të rishikohet në intervale të rregullta gjatë gjithë periudhës së burgimit.
...
Pjesa VIII
Të burgosurit e dënuar
Objektivi i regjimit për të burgosurit e dënuar
102.1. Përveç rregullores së zbatueshme për të gjithë të burgosurit, regjimi për të burgosurit e dënuar duhet të jetë i tillë që të bëjë të mundur për ta një jetë të përgjegjshme e pa krim.
102.2. Burgimi si privim lirie është në vetvete ndëshkim ndaj dhe regjimi për të burgosurit e dënuar nuk duhet të rëndojë më tej vuajtjen që burgimi mbart natyralisht në vetvete.
Zbatimi i regjimit për të burgosurit e dënuar
103.1. Regjimi për të burgosurit e dënuar duhet të fillojë menjëherë pasi personi është pranuar në burg me statusin e një të burgosuri të dënuar, nëse kjo gjë nuk ka nisur më përpara.
103.2. Menjëherë pas pranimit, për të burgosurit e dënuar përpilohen raporte në lidhje me situatën e tyre personale, planin e dënimit të propozuar për secilin prej tyre dhe strategjinë për përgatitjen e lirimit të tyre.
103.3. Të burgosuerit e dënuar duhen inkurajuar që të marrin pjesë në hartimin e planeve të tyre individuale të dënimit.
103.4. Këto plane, për aq sa është praktike, duhet të përmbajnë:
a. punë;
b. edukim;
c. aktivitete të tjera; dhe
d. përgatitje për lirim.
103.5. Në regjimet për të burgosurit e dënuar mund të përfshihen edhe puna sociale, kujdesi mjeksor e psikologjik.
...
103.8. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar sigurimit të planeve të dënimit dhe regjimeve të përshtatshme për personat e dënuar me burgim të përjetshëm apo me dënime të gjata.
...
Lirimi i të burgosurve të dënuar
107.1. Të burgosurit e dënuar duhen asistuar kohë përpara lirimit me procedura dhe programe speciale që u mundësojnë atyre tranzicionin nga jeta në burg në një jetë në respekt të ligjit në komunitet.
107.2. Veçanërisht në rastin e të burgosurve me dënime më të gjata, duhen marrë masa për të siguruar një kthim gradual te tyre në jetesën në shoqërinë e lirë.
107.3. Ky synim mund të realizohet me anë të një programi para-lirimi në burg ose me anë të lirimit pjesor apo me kusht nën mbikqyrje të kombinuar me mbështetje sociale të efektshme.
107.4. Autoritetet e burgut duhet të punojnë ngushtësisht me shërbimet dhe agjensitë që mbikqyrin dhe asistojnë të burgosurit e liruar për të bërë të mundur riintegrimin në komunitet të të gjithë të burgosuerve të dënuar, veçanërisht sa i takon jetës në familje dhe punësimit.
107.5. Përfaqësuesëve të këtyre shërbimeve sociale apo agjensive duhet t’u sigurohet i gjithë aksesi i nevojshëm në burg dhe tek të burgosurit që të mund të bëjnë të gjitha përgatitjet në lidhje me lirimin dhe planifikimin e programeve të mëpasme.”
160. Komentari mbi Rregulloren e 2006-s (përgatitur nga Komiteti Europian për Problemet e Krimit) thotë se Rregulli 102 është në harmoni me kërkesat e instrumenteve kryesore ndërkombëtare përfshirë Neni 10 § 3 in Paktit Ndërkombëtar për Liritë Civile dhe Politike (shiko paragrafin 157 lart).
2. Rezoluta 76(2)
161. Që nga viti 1976 Komiteti i Ministrave ka miratuar një seri rezolutash dhe rekomandimesh për të burgosurit me dënim të përjetshëm dhe dënime të gjata. E para ishte Resolution 76(2) e 17 Shkurtit 1976, e cila u rekomanonte Shtetve antare, inter alia:
“1. të ndjekin një politikë penale në bazë të së cilës dënimet e gjata me burg jepen vetëm nëse janë të nevojshme për mbrojtjen e shoqërisë;
2. të marrin masat e nevojshme legjislative dhe administrative me qëllim promovimin e trajtimit të përshtatshëm gjatë zbatimit të këtyre dënimeve;
...
6. të inkurajojnë një sens përgjegjësie tek i burgosuri me anë të futjes në mënyrë progresive të sistemeve të pjesmarrjes në të gjitha fushat e përshtatshme;
...
9. të sigurojnë që rastet e të gjithë të burgosurve do të studiohen sa më herët për të përcaktuar nëse mund të jepet lirim me kusht;
10. të japin lirim me kusht për të burgosurin, në përputhje me kërkesat ligjore në lidhje me kohën e vuajtur në burg, sapo të mund të formulohet një prognozë e favorshme; refuzimi i lirimit me kusht nuk mund të justifikohet vetëm me konsiderata të parandalimit të përgjithshëm;
11. të përshtasin për dënimet me burgim të përjetshëm të njëjtat parime të aplikueshme për dënimet e gjata;
12. të sigurojnë që rishikimi i një dënimi me burgim të pëjetshëm, sipas referimit tek 9, duhet bërë, nëse nuk ka ndodhur më parë, pas tetë deri katërmbëdhjetë vjetësh në burg dhe të përsëritet në intervale të rregullta; ...”
3. Rekomandimi 2003(23) për menaxhimin nga administrata e burgut e të burgosurve me dënim të përjetshëm dhe dënime të tjera të gjata
162. Recommendation 2003(23) on the management by prison administrations of life sentence and other long-term prisoners u miratua nga Komiteti i Ministrave më 9 Tetor 2003. Ai rekomandonte që, në legjislacionin, politikat dhe praktikën e tyre për menaxhimin e të burgosurve me dënim të përjetshëm dhe dënime të tjera të gjata, Shtetet Antare duhet të udhëhiqen nga parimet e parashtruara në shtojcën e këtij rekomandimi. Këto parime ishin si më poshtë:
“Përkufizimi i të burgosurve të përjetshëm dhe afat-gjatë
1. Për qëllimet e këtij rekomandimi, një i burgosur i përjetshëm është një i burgosur që vuan një dënim me burgim të përjetshëm. Një i burgosur afat-gjatë është një i burgosur që vuan një dënim me burg ose një dënim për pesë vjet apo më shumë.
Objektiva të përgjithëshme
2. Qëllimet e menaxhimit të të burgosurve me dënim të përjetshëm ose dënime të tjera afat-gjatë duhet të jenë:
– të sigurojnë që burgjet janë vende të parrezikshme dhe të sigurta për këta të burgosur dhe për të gjithë ata që punojnë me ta ose që i vizitojnë;
– të kundërveprojnë ndaj efekteve dëmtuese të burgimit të përjetshëm apo afat-gjatë;
– të rrisin dhe përmirësojnë mundësitë që këta të burgosur të rikthehen në shoqëri me sukses dhe të mund të bëjnë një jetë në respekt të ligjit pas lirimit.
Parime të përgjithëshme për menaxhimin e të burgosurve me dënim të përjetshëm dhe dënime të tjera afat-gjatë
3. Duhet konsideruar diversiteti i karakteristikave personale që duhet të kenë të burgosurit me dënim të përjetshëm dhe ata me dënim afat-gjatë dhe ato duhen mbajtur parasysh në hartimin e planeve individuale për zbatimin e dënimit (parimi i individualizimit).
4. Jeta në burg duhet të organizohet e tillë që t’i afrohet sa më shumë realiteteve të jetës në komunitet (parimi i normalizimit).
5. Të burgosurve duhet t’u jepen mundësitë për të ushtruar përgjegjësinë e tyre personale në jetën e tyre të përditshme në burg (parimi i përgjegjësisë).
6. Duhet bërë një dallim i qartë mes risqeve të paraqitura nga të burgosurit e përjetshëm dhe ata afat-gjatë për komunitetin jashtë, veten, për të burgosurit e tjerë dhe ata që punojnë apo vizitojnë burgjet (parimi i sigurisë dhe parrezikshmërisë).
7. Vëmendje i duhet kushtuar mos-veçimit të të burgosurve të përjetshëm dhe atyre afat-gjatë vetëm për shkak të llojit të dënimit (parimi i mos-veçimit).
8. Planifikimi individual për menaxhimin e dënimit të përjetshëm apo afat-gjatë të të burgosurit duhet të ketë për synim sigurimin e një lëvizje progresive nëpër të gjithë sistemin e burgut (parimi i progresionit).
Planifikimi i dënimit
9. Për të përmbushur objektivat e përgjithëshme dhe respektuar parimet e përmendura më lart, për çdo të burgosur duhen zhvilluar plane dënimi të plota. Këto plane duhen përgatitur dhe zhvilluar sa më shumë të jetë e mundur me pjesmarrjen e të burgosurit dhe veçanërisht drejt fundit të periudhës së qësndrimit ne burg, në bashkëpunim të plotë me autoritetet e mbikqyrjes post-lirim dhe autoritetet e tjera relevante.
10. Planet e dënimit duhet të përfshijnë një vlerësim të riskut dhe nevojave për çdo të burgosur dhe duhen bërdorur për të siguruar një qasje sistematike për:
– alokimin fillestar të të burgosurit;
– lëvizjen progresive nëpër të gjithë sistemin e burgut, idealisht, me një fazë finale të shpenzuar në kushte të hapura, mundësisht në komunitet;
– pjesmarrja në punë, edukim, trajnim dhe aktivitete të tjera që sigurojnë një përdorim qëllimplotë të kohës së kaluar në burg dhe rrisin shanset për një riintegrim të suksesshëm pas lirimit;
– ndërhyrjet dhe pjesmarrjet në programe të ndërtuara për të adresuar risqet dhe nevojat me qëllim reduktimin e sjelljes së dhunshme në burg dhe kryerjen sërish të një vepre penale pas lirimit;
– pjesmarrja në aktivitete të kohës së lirë dhe të tjera për të parandaluar apo kundërvepruar ndaj efekteve dëmtuese të burgimit për kohë të gjatë;
– kushte dhe masa mbikqyrëse në ndihmë të një jete në respekt të ligjit dhe përshtatjes në komunitet pas lirimit me kusht.
11. Planifikimi i dënimit duhet të fillojë sa më shpejt menjëherë pas hyrjes në burg, të rishikohet në intervale të rregullta dhe të modifikohet sipas nevojës.
...
Menaxhimi i riintegrimit në shoqëri të të burgosurve me dënim të përjetshëm e afatgjatë
33. Për t’ia bërë të mundur të burgosurve me burgim të përjetshëm dhe dënime të tjera afat-gjatë kapërcimin e problemit specifik të kalimit nga qëndrimi i gjatë në burg në një jetë sipas ligjit në komunitet, lirimi i tyre duhet përgatitur sa më përpara në kohë dhe të marrë parasysh, në mënyrë të veçantë, sa më poshtë:
– nevojën për plane specifike lirimi dhe post-lirimi që adresojnë risqet dhe nevojat relevante;
– konsiderimin në mënyrën e duhur të mundësisë për realizimin e programit të lirimit dhe vazhdimin pas lirimit të çdo programi, ndërhyrjeje apo trajtimi të ndërmarrë nga i burgosuri gjatë qëndrimit në burg;
– nevojën për të patur një bashkëpunim të ngushtë mes administratës së burgut dhe autoriteteve mbikqyrëse post-lirim, shërbimet sociale dhe mjeksore.
34. Dhënia dhe zbatimi i lirimit me kusht për të burgosurit me burgim të përjetshëm dhe dënime të tjera afat-gjatë duhet të udhëhiqet nga parimet e përcaktuara në Rekomandimin Rec(2003)22 për lirimin me kusht.
163. Në lidhje me paragrafin 34, raporti që shoqëron rekomandimin thotë (në paragrafin 131):
“Rekomandimi Rec(2003)23 përmban parimin se lirimi me kusht duhet të jetë i mundur për të gjithë të burgosurit, përveç atyre më dënime ekstremisht të shkurtra. Ky parim, sipas termave të Rekomandimit, është i zbatueshëm edhe për të burgosurit me burgim të përjetshëm. Megjithatë, mbani parasysh se rekomandohet mundësia e dhënies së lirimit me kusht për të burgosurit e përjetshëm, jo që lirimi me kusht duhet të jepet gjithmonë në rastin e tyre.”
...
IV. RAPORTE RELEVANTE TË KOMITETIT EUROPIAN PËR PARANDALIMIN E TORTURËS DHE TRAJTIMIT APO NDËSHKIMIT ÇNJERËZOR E POSHTËRUES (“CPT”)
A. Raporti i njëmbëdhjetë i përgjithshëm
165. Në raportin e tij të njëmbëdhjetë të përgjithshëm (CPT/Inf (2001) 16), publikuar më 3 Shtator 2001, CPT vëren sa më poshtë në lidhje me të burgosurit me burgim të përjetshëm dhe dënime të tjera afat-gjatë:
“33. Në shumë vende europiane numri i të burgosurve me burgim të përjetshëm dhe atyre me dënime të tjera afat-gjatë është në rritje. Gjatë disa nga vizitat e saj, CPT ka konstatuar se gjendja e këtyre të burgosurve linte shumë për të dëshiruar për sa u takon kushteve materiale, aktiviteteve dhe mundësive për kontakt njerëzor. Veç kësaj, shumë prej këtyre të burgosurve iu nënshtroheshin kufizimeve speciale me gjasa për të përkeqësuar edhe më shumë efektet dëmtuese që burgimi afatgjatë përmban natyrshëm në vetvete; shembuj të kufizimeve të tilla janë ndarja permanente nga pjesa tjetër e të burgosurve, prangosja e të burgosurit sa herë nxirrej nga qelia, ndalimi i komunikimit me të burgosurit e tjerë, kufizimi i të drejtës për të patur vizita. CPT nuk gjen justifikim për zbatimin pa dallim të kufizimeve për të gjithë të burgosurit me një tipologji specifike dënimi, pa marrë në konsideratë riskun individual që paraqitet ose jo prej tyre.
Burgimi afat-gjatë mund të ketë një numër efektesh josocializuese tek të burgosurit. Përveç institucionalizimit të tyre, të burgosurit afat-gjatë mund të përjetojnë një sërë problemesh psikologjike (përfshirë humbjen e vetë-vlerësimit dhe dëmtimin e shprehive sociale) dhe kanë një tendencë të bëhen gjithmonë e më të shkëputur nga shoqëria; ku në fund do të kthehen thuajse të gjithë. Në pikëpamjen e CPT-s, regjimet e ofruara për të burgosurit që vuajnë dënime të gjata duhet të përpiqen t’i kompensojnë këto efekte në mënyrë pozitive dhe proaktive.
Të burgosurit në fjalë duhet të kenë mundësinë e një numuri të madh aktivitetesh qëllimplota të natyrave të ndryshme (punë, mundësisht të një vlere profesionale; edukim; sport; argëtim/shoqërizim). Për më tepër, ata duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë një farë zgjedhjeje në lidhje me mënyrën se si ata e shpenzojnë kohën e tyre, duke nxitur një sens autonomie dhe përgjegjësie personale. Duhen marrë hapa shtesë për t’i dhënë kuptim periudhës së tyre në burg; veçanërisht, sigurimi i planeve individuale të qëndrimit në burg dhe mbështetja e duhur psiko-sociale janë elementë të rëndësishëm për t’i ndihmuar këta të burgosur që të pranojnë kohën e tyre në burg dhe, kur të vijë koha, të jenë gati për lirim. Veç kësaj, efektet negative të institucionalizimit tek të burgosurit me dënime të gjata do të jenë më pak të theksuara dhe ata do të jenë më të përgatitur për lirimin, nëse janë në gjendje të ruajnë kontaktet me botën jashtë burgut.”
...
V. RAPORT I KOMITETIT BULLGAR TË HELSINKIT PËR BURGIMIN PËR GJITHË JETËN
175. Pasi kishte bërë një studim për çështjen e burgimit për gjithë jetën në Bullgari, në periudhën mes Qershorit 2009 dhe Shkurtit 2010, Komiteti Bullgar i Helsinkit botoi në Prill 2010 një report me titullin “Burgimi i përjetshëm pa të drejtë ulje - ndëshkim çnjerëzor dhe degradues”. Raporti merrej vetëm me personat që vuanin dënimin me burgim për gjithë jetën, jo ata me burgim të përjetshëm.
176. Raporti thoshte, ndër të tjera, se në kohën e vizitave të kryera në burgje, të gjithë të burgosurit me burgim të përjetshëm në Burgun e Plovdivit gjendeshin në qeli teke. Në Burgun e Stara Zagorës, dy të burgosur me burg të përjetshëm ishin në qeli të përbashkët, por gjithë të tjerët ishin, gjithashtu, në qeli teke. Përveç Burgut të Plovdivit dhe disa burgjeve të tjera, ku nuk përfshihej Burgu i Stara Zagorës, njësitë ku mbaheshin të dënuarit me burgim të përjetshëm, ishin në gjendje shumë të rrënuar: dyshemetë dhe muret ishin të ndotura, ndërsa mobiljet, të gjitha të fiksuara në dysheme, shumë të vjetra. Disa njësi kishin krevate marinari, që gjithsesi rrallë përdoreshin. Të dënuarit me burgim të përjetshëm ushqimin e merrnin nëpër qeli. Drita e diellit në qelitë e caktuara për ta shpesh ishte e pamjaftueshme. Dritaret në mënyrë tipike ishin me përmasa 1 me 0.6-0.8 metra dhe ndodheshin rreth dy metra nga dyshemeja, gjë që nuk i lejonte të dënuarit të mund të shihnin jashtë. Kornizat e dritareve në njësinë e të dënuarve të përjetshëm në Burgun e Plovdivit - por jo në Burgun e Stara Zagorës - ishin të reja. Ndriçimi artificial nuk fikej asnjëherë, në mënyrë që rojet të mund të inspektonin qelitë vizualisht në çdo kohë. Disa të dënuar u ankuan që kjo gjë e bënte të vështirë t’i zinte gjumi, sidomos kur dritat ishin luminishente. Asnjë njësi për të dënuarit me burgim të përjetshëm nuk kishte sistem ventilimi, dhe ajri i freskët hynte vetëm nga dritaret kur ato ishin të hapura, gjë që në dimër ishte problem, pasi edhe në ditët më të ftohta ngrohja vihej në punë vetëm një orë në mëngjes dhe një orë pasdite. Të burgosurit e përjetshëm duhet t’i lanin rrobat kur shkonin në tualet dhe i thanin në qeli. Në disa burgje ishin ndërtuar tualete brenda qelive, por jo në burgjet e Plovdivit dhe Stara Zagorës. Aksesi në tualetet e përbashkëta ishte i mundur për tridhjetë minuta në mëngjes, në drekë dhe në mbrëmje. Gjatë kësaj kohe të burgosurve me dënim të përjetshëm u duhej po ashtu të lanin rrobat dhe enët. Për nevojat personale në kohën e mbetur, u duhej të thërrisnin rojet. Meqë shumica e burgjeve nuk kishin sistem sinjalizimi, të burgosurve u duhej t’u binin dyerve të qelisë ose të bërtisnin. Kjo gjë shpesh krijonte konflikte me rojet dhe prandaj të burgosurit shpesh preferonin të kryenin nevojat personale në kova brenda qelisë. Në të gjitha burgjet, përveç atij në Pleven, të dënuarit me burgim të përjetshëm rrinin gjithë kohën brenda qelive të kyçura. Në Burgun e Plovdivit, ecja e përditëshme një orëshe ishte zgjatur me tridhjetë minuta, dhe në Burgun e Stara Zagorës me njëzet minuta. Në shumicën e burgjeve, të dënuarit me burgim të përjetshëm ecjen ditore e bënin në oborre të ndara. Këto oborre ishin shumë të vegjël dhe në disa burgje, si ai i Plovdivit, nuk ishte e mundur që të bëhej një ecje e vërtetë.
177. Raporti thoshte më tej se në Gusht 2009 vetëm tetë personave që vuanin dënimin me burgim për gjithë jetën, u ishte siguruar punë: shtatë brenda qelive të tyre dhe njërit jashtë qelisë. Më vonë, ky numër kishte rënë, autoritetet e burgut nuk e kishin të lehtë të gjenin një punë të përshtatshme për këta të burgosur dhe, në Burgun e Stara Zagorës, për shembull, asnjë të burgosuri me burgim të përjetshëm nuk i ishte siguruar punë. Në burgun e Plovdivit, të burgosurit me dënim të përjetshëm për një periudhë kohe ishin vënë në punë për paketimin e dorezave për kirurgji.
178. Raporti vërente gjithashtu se shumica e të burgosurve me dënim të përjetshëm kishin televizorin e tyre e disa kishin edhe radio. Meqë shumica e tyre kishin vite që jetonin në po ato qeli, kishin arritur t’i organizonin ato në mënyrë të tillë që ngjanin disi si ambjent shtëpie. Burgu i Plovdivit dhe ai i Stara Zagorës nuk kishin klube në njësinë e sigurisë së lartë. Vetëm pak të burgosurve me dënim të përjetshëm u ishte dhënë mundësia e angazhimit në aktivitete kuptimplota. Kujdesi për ta ishte shumë i vështirë për shkak të mungesës së perspektivës së lirimit. Megjithatë, në disa burgje, ekipet që punonin me të dënuarit e përjetshëm bënin përpjekje serioze për t’i ndihmuar ata psikologjikisht, për t’u krijuar atyre një sens perspektive dhe shtysën për të ruajtur kontaktet sociale, për të marrë pjesë në aktivitete dhe kundëvepruar ndaj çdo simptome depresive e psikosomatike. Në disa burgje, megjithatë, trajtimi i të dënuarve të përjetshëm nuk i përgjigjej kërkesave të “Standardeve kombëtare për trajtimin e të burgosurve të përjetshëm” (shiko paragrafin 135 lart), dhe disa nga të burgosurit në fjalë ishin ankuar se me ta nuk kryhej asnjë punë individuale e nuk organizohej asnjë aktivitet kulturor, informativ apo sportiv.
LIGJI
I. REGJIMI DHE KUSHTET E BURGIMIT TË KËRKUESIT
179. Z. Harakchiev dhe Z. Tolumov pretendonin se regjimet e burgut të zbatueshme për ta si të dënuar respektivisht me burgim për gjithë jetën dhe të përjetshëm, sëbashku me kushtet materiale në të cilat mbaheshin, përbënin ose torturë ose trajtim çnjerëzor dhe degradues, në shkelje të Nenit 3 të Konventës.
180. Neni 3 i Konventës parashikon so më poshtë:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose degraduese..”
...
B. Themeli
...
III. BURGIMI PËR GJITHË JETËN
230. Z. Harakchiev pretendonte gjithashtu se dënimi i tij me burgim për gjithë jetën, që nga koha e dhënies së tij, kishte qenë një ndëshkim çnjerëzor dhe degradues në shkelje të Nenit 3 të Konventës.
231. Teksti i Nenit 3 të Konventës është parashtruar në paragrafin 180 lart.
A. Parashtrimet e palëve
1. Komentet e Qeverisë
232. Qeveria parashtroi se thjesht fakti që Z. Harakchiev ishte dënuar me burgim për gjithë jetën nuk përbënte shkelje të Nenit 3 të Konventës, pasi ai mund të kërkonte faljen presidenciale në çdo kohë. Ekzistonte tashmë precedenti i një personi që vuante dënimin me burgim për gjithë jetën, dënimi i të cilit ishte ndryshuar nga Zëvendës-Presidenti. Një vendim që këtë gjë do ta konsideronte të pamjaftueshme, nuk do të ishte i drejtë për punën e Komisionit të Faljes pranë Zëvendës-Presidentit dhe do të krijonte shqetësim ligjor jo vetëm në Bullgari, por edhe në Shtetet e tjera Anëtare. Burgimi për gjithë jetën, i futur në sistem në vitin 1998 si rezultat i heqjes së dënimit me vdekje, ishte një komponent shumë i rëndësishëm i sistemit ndëshkimor të së drejtës penale në Bullgari. Ai ishte një dënim që jepej shumë rrallë dhe rezervohej vetëm për veprat më të rënda penale. Aktualisht në Bullgari ishin 57 persona që vuanin dënimin me burgim për gjithë jetën dhe 106 persona që vuanin dënimin me burgim të përjetshëm.
233. Kompetenca presidenciale e faljes ishte një mjet i gatshëm, i disponueshëm për modifikimin e një dënimi me burgim për gjithë jetën, që u jepte të gjithë atyre që vuanin një dënim të tillë, shpresën se një ditë mund të rifitonin lirinë. Në lidhje me këtë ishte shumë domethënëse që, në 21 Janar 2013, Zëvendës-Presidenti, në ushtrim të kësaj kompetence, kishte zëvendësuar një dënim me burgim për gjithë jetën në burgim të përjetshëm. Arsyet që qëndronin në bazë të këtij vendimi ishin parashtruar në raportin e Komisionit të Faljes, i cili për më tepër vërente se vendimi do t’i demostronte të gjithë personave të tjerë të dënuar me burgim për gjithë jetën se e kishin mundësinë për ta përmirësuar situatën e tyre. Kompetenca presidenciale e faljes kishte ekzistuar në kohën e vendosjes së burgimit për të gjithë jetën si ndëshkim dhe ishte ushtruar gjithmonë në një mënyrë të tillë që personave të interesuar u jepte shpresën se mund të përfitonin ulje të dënimit të tyre. Kjo evidentohej nga arsyet e dhëna në rastin e refuzimit të faljes për personat që ishin duke vuajtur një dënim me burgim për gjithë jetën, i cli kryesisht mbështetej në dy argumente: mungesa e progresit në procesin e rehabilitimit ose vuajtja deri në atë moment i një pjese jodomëthënëse të dënimit. Proçedura për analizimin e kërkesave për falje ishte dhe kishte qenë gjithmonë e përcaktuar në dekrete presidenciale, si dekreti i 23 Shkurtit 2012, i cili kishte fuqinë e ligjit. Versioni më i fundit i rregullores së zbatueshme kishte patur për qëllim optimizimin e proçedurës dhe bërjen e saj më transparente, si dhe formalizimin e standardeve të përcaktuara nga praktika. Theksi kryesor ishte vënë tek rritja e kapaciteteve kërkuese dhe analitike të Komisionit të Faljes dhe tek harmonizimi i mënyrës së analizimit të çdo kërkese për falje. Kjo proçdurë mund të prodhonte të njëjtin efekt si procesi gjyqësor për uljen e dënimit. Presidenti dhe Zëvendës-Presidenti nuk detyroheshin nga asnjë kriter dhe mund ta ushtronin kompetencën e faljes në çdo kohë e për çdo person.
234. Regjimi i personave që vuanin një dënim me burgim të përjetshëm nuk i ndalonte ata të tregonin se ishin reformuar. Kjo ishte evidente nga arsyet e dhëna për vendimin e Zëvendës-Presidentit të datës 21 Janar 2013 për zëvendësimin e një dënimi me burgim për gjithë jetën me një dënim me burgim të përjetshëm, si dhe nga sjellja e Z. Tolumov dhe ndryshimi në regjimin e tij në burg. Z. Harakchiev, nga ana e tij, nuk kishte treguar asnjë shenjë rehabilitimi. Përkundrazi, ai i ishte nënshtruar një serie ndëshkimesh disiplinore, dhe risku i ripërsëritjes në rastin e tij vazhdonte të ishte mjaft i lartë. Për më tepër nuk kishte asnjë të dhënë që secili nga të dy kërkuesit të kishte bërë kërkesë pë falje.
2. Komentet e Z. Harakchiev
235. Z. Harakchiev parashtroi se dënimi me burgim për gjithë jetën, që ai po kryente, ishte i papajtueshëm me Nenin 3 të Konventës, sepse presupozonte që atij do i duhej të kalonte gjithë jetën e tij në burg. Në të njëjtën kohë, një analizë e dispozitave relevante të ligjit bullgar, tregonte se qëllimet që synoheshin të siguroheshin pëmes dhënies së këtij dënimi, mund të realizoheshin edhe nëpërmjet dënimit me burgim të përjetshëm. Në bazë të Kodit Penal të 1968-s, burgimi për gjithë jetën rezervohej për rastet kur qëllimet e ndëshkimit nuk mund të realizoheshin me anë të një dënimi më të butë. Që do të thotë se synohej për personat që nuk mund të rehabilitoheshin kurrë, ndërkohë që ishte e qartë se gjykata që merrte vendimin nuk ishte në pozitën për t’u shprehur nëse një i burgosur do të mbeste i pareformuar për njëzet apo tridhjetë vite.
236. Ndërsa procedura gjyqësore për uljen e një dënimi me burgim të përjetshëm ishte tërësisht në harmoni me kërkesat e Nenit 3 të Konventës, ushtrimi i kompetencës presidenciale të faljes ishte e paqartë dhe e paparashikueshme. Neni 98 i Kushtetutës së vitit 1991 dhe Neni 74 i Kodit Penal të 1968-s nuk përcaktonte ndonjë rregull proçedure apo kushtet në të cilat duhej ushtruar kjo kompetencë. Si rezultat, një i burgosur i përjetshëm nuk dinte se çfarë duhej të bënte për të patur mundësinë e përfitimit të faljes. Mënyra e ushtrimit të kësaj kompetence deri në 23 Shkurt 2012 ishte po ashtu shumë e paqartë: nuk kishte informacion sa të burgosur kishin bërë kërkesë për falje dhe për çfarë arsyesh, sa kërkesa ishin pranuar dhe për çfarë arsyesh, dhe cilët kishin qenë ekspertët që këshillonin Zëvendës-Presidentin, cilat ishin rregullat në bazë të cilave kishin kryer detyrat e tyre. Në mbështetje të kësaj deklarate, kërkuesit paraqitën katër letra të dërguara në periushën midis 2006 dhe 2011 nga administrata presidenciale personave që ishin duke vuajtur dënimin me burgim për gjithë jetën, të cilët kishin bërë kërkesë për falje: të gjitha thjesht thonin se kërkesa ishte studiuar dhe ishte hedhur poshtë. Në periudhën 2002 dhe 2009 gjashtëmbëdhjetë persona që vuanin këtë lloj dënimi kishin bërë kërkesë për falje; të gjitha kërkesat e tyre ishin hedhur poshtë. Nuk kishte patur asnjë rast falje në lidhje me persona të tillë as përpara 2002.
237. Kuadri ligjor që rregullonte ushtrimin e kompetencës presidenciale të faljes nuk ishte përmirësuar në 23 Shkurt 2012. Rregullat e përcaktuara nga Presidenti në këtë datë, ndërkohë që përbënin një hap përpara, nuk qartësonin si duhej kushtet në të cilat mund të kërkohej falje. Ato ishin vetëm udhëzime të brendëshme që rregullonin punën e Komisionit të Faljes, jo ushtrimin e kompetencave të Presidentit dhe të Zëvendës-Presidentit. Veç kësaj, këto rregulla as nuk ishin publikuar në Gazetën Shtetërore, dhe as nuk ishte e qartë nëse Presidenti kishte të drejtë, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, të bënte rregulla abstrakte. Situata vazhdonte të ishte që, sipas ligjit, Presidenti dhe Zëvendës-Presidenti ishin të lirë të vendosnin për dhënien apo jo të faljes, pa patur nevojë ta bazonin vendimin e tyre mbi ndonjë kriter. Vendimi në këtë pikë nuk kishte nevojë të arsyetohej dhe nuk ishte i apelueshëm. Në vitin 2012, ishin dhënë vetëm tri falje për njëqind kërkesa të bëra, ndërsa numuri i dënimeve me burgim të përjetshëm vazhdonte të ishte i lartë. Ndaj proçedura e faljes nuk ishte një mjet i duhur për të kërkuar ulje të një dënimi me burgim të përjetshëm. Fakti që Zëvendës-Presidentja aktuale, në bazë të pikëpamjes së saj personale se dënimi me burgim për gjithë jetën duhej hequr, kishte falur një person që po vuante një dënim të tillë, nuk jepte ndonjë shpresë të vërtetë. Ndërkohë që meritonte admirim, ky ishte vetëm një pozicion personal i Zëvendës-Presidentes, ishte thellësisht jo-popullor, dhe do të ishte i vlefshëm vetëm për sa kohë ajo ishte në atë detyrë. Ai nuk mund të kishte efektin afat-gjatë të një ndryshimi në ligj.
238. Regjimi i burgut për ata që, si Z. Harakchiev, vuanin një dënim me burgim për gjithë jetën përfshinte izolimin e plotë, edhe jashtë qelisë e madje edhe gjatë punës. E vetmja mundësi kontakti ishte me të burgosur të tjerë në të njëjtin regjim, dhe vetëm gjatë shëtitjes një-orëshe në ditë. Këto kushte tejet kufizuese e bënin thuajse të pamundur të gjeje punë të përshtatshme për të burgosurit me dënim të përjetshëm. Kjo mbështetej nga informacioni i dhënë në raportin e Prillit 2010 të Komitetit Bullgar të Helsinkit. Ai raport tregonte gjithashtu se të burgosurve të përjetshëm nuk u sigurohej ndonjë program ri-socializimi dhe mbaheshin në kushte materiale ekstremisht të varfra. Të gjithë këta faktorë e bënin të pamundur që ata të mund të tregonin se ishin reformuar e keshtu të bindnin Presidentin apo Zëvendës-Presidentin për dhënien e faljes.
3. Komentet shtesë të Qeverisë
239. Në komentet e saj shtesë, Qeveria parashtroi se situata në rastin në fjatë ishte qartazi e ndryshme nga ajo në rastin e Vinter dhe të Tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar ([GC], nr. 66069/09, 130/10 dhe 3896/10, ECHR 2013 (ekstrakte)). Ndryshe nga kompetencat e kufizuara të Sekretarit të Shtetit për Drejtësinë në Mbretërinë e bashkuar, kompetenca presidenciale e faljes në Bullgari nuk ishte e kufizuar në ndonjë mënyrë. Presidenti mund të ulte çdo dënim dhe kjo kompetencë ushtrohej plotësisht. Proçedura ishte mjaftueshëm fleksibël, duke ua mundësuar të burgosurve bërjen e kërkesës pa asnjë limit kohor dhe për çdo arsye. Çdo kërkesë për falje i nënshtrohej një vlerësimi të përgjithshëm në lidhje me pyetjen nëse burgosja vazhdonte të ishte e justifikueshme për arsye ndëshkuese legjitime. Raportet mujore të Komisionit të Faljes pranë Zëvendës-Presidentit tregonin se ai i analizonte këto pika në detaje. Në rastin e vetëm për të cilin kishte rekomanduar uljen dënimit të një personi me burgim të përjetshëm, ky Komision kishte mbajtur parasysh pikërisht këta faktorë. Mundësia për të kërkuar falje presidenciale ishte e disponueshme që në fillim të dënimit të një personi me burgim të përjetshëm, gjë që dihej fare mirë dhe ishte shfrytëzuar shpesh.
240. Sipas Qeverisë, nuk kishte nevojë për rregulla më të detajuara në ushtrimin e kësaj kompetence. Nuk kishte pasiguri në lidhje me mënyrën e ushtrimit të saj dhe çdo detajim rregullash do të kufizonte fushën e saj të veprimit që aktualisht ishte mjaft e gjerë. Në çdo rast, Shtetet kishin një hapësirë vlerësimi në mënyrën e rishikimit të dënimeve me burgim të përjetshëm. Fakti që kompetenca presidenciale e faljes ishte tërësisht diskrecionare nuk cënonte efektshmërinë e saj. Kjo gjë ishte demonstruar në ushtrimin e saj në lidhje me një person që vuante dënimin me burgim për gjithë jetën në fillim të vitit 2013. Në kontrast me pretendimin e Z. Harakchiev, ajo nuk ishte bazuar vetëm në pikëpamjet personale të Zëvendës-Presidentes aktuale. Vendimi për uljen e dënimit të një burgosuri të përjetshëm tashmë kishte krijuar një tendencë. Siç evidentohej nga raporti i Komisionit të Faljes, vendimi merrej në bazë të një vlerësimi tërësor të të gjithë faktorëve relevantë. Tendenca bëhej evidente edhe nga projekt-Kodi Penal, i cili parashikonte heqjen e dënimit me burgim për gjithë jetën. Megjithatë, miratimi i një legjislacioni kompleks, siç është kodi penal, kërkonte kohë. Ndërkohë, mundësia për të kërkuar faljen presidenciale ishte një mjet mjaftueshëm efektiv në dispozicion të personave të dënuar me burgim për gjithë jetën.
241. Në bazë të rregullores së zbatueshme, të burgosurit e përjetshëm, me të mbërritur në burg, duhet të informoheshin, në gjuhë të thjeshtë, në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tyre, si dhe rregullin e disiplinën në burg; ata po ashtu kishin të drejtën ta merrnin këtë informacion me shkrim. Informacioni përfshinte shpjegime të hollësishme rreth rregullave dhe rregullores së burgut, të drejtën për të punuar, regjimin e vizitave, sanksionet disiplinore, dhe mundësinë për të kërkuar ndryshim të regjimit të burgut dhe lirim të parakohshëm. Veç kësaj, në vitin 2007 Drejtoria Qendrore pë Ekzekutimin e Dënimeve kishte nxjerrë “Standardet Kombëtare për trajtimin e të burgosurve të përjetshëm”. Këto standarde thonin shprehimisht se autoritetet duhet t’u krijonin mundësitë të burgosurve të përjetshëm për diskutimin e çështjeve në lidhje me dënimin e tyre. Të gjithë të burgosurit e përjetshëm, pavarësisht nëse vuanin dënime të ndryshueshme apo të pandryshueshme, ishin të informuar në lidhje me periudhën që duhet të kishin vuajtur përpara se të bënin kërkesë për një ndryshim në regjimin e tyre të burgut, dhe të sjelljes që duhet të kishin me qëllim që të rrisnin shanset e përfitimit të uljes së dënimit. Veç kësaj, çdo i burgosur i përjetshëm kishte një plan dënimi individual ku përcaktoheshin ndryshimet pozitive që priteshin prej tij apo prej saj dhe hapat konkretë që çonin në këto ndryshime. Ky plan rivlerësohej në mënyrë periodike, gjë që i duhej bërë e ditur të burgosurit.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Pranueshmëria
242. Ankimimi nuk është haptazi i pa-bazuar në kuptimin e Nenit 35 § 3 (a) të Konventës apo i papranueshëm për ndonjë arsye tjetër. Prandaj duhet të deklarohet i pranueshëm.
2. Themeli
(a) Parime të përgjithëshme të vendosura në jursiprudencën e Gjykatës
243. Në çështjen Kafkaris k. Qipros ([GC], nr. 21906/04, § 97, ECHR 2008), Dhoma e Madhe e Gjykatës u shpreh se, ndërsa zgjedhja e një Shteti në lidhje me sistemin penal, përfshirë rregullimet për rishikimin e dënimit dhe lirimin, në parim dilte jashtë fushës së veprimit dhe supervizimit të bërë nga Gjykata, dhe ndërsa dhënia e një dënimi me burgim të përjetshëm për një autor vepre në moshë të rritur në vetevete nuk ndalohej apo nuk ishte në papajtueshmëri me Nenin 3 apo ndonjë Nen tjetër të Konventës, dhënia e një dënimi të pandryshueshëm mund të ngrinte çështje në bazë të Nenit 3. Në të njëjtën kohë, Dhoma e Madhe, u përpoq të theksonte se një dënim me burgim të përjetshëm nuk bëhëj "i pareduktueshëm" thjesht nga fakti që në praktikë ai mund të kryhej i plotë dhe se për qëllimet e Nenit 3 të Konventës mjaftonte që një dënim i tillë të jetë de jure dhe de facto i reduktueshëm (ibid., § 98 in fine).
244. Në këtë rast, Dhoma e Madhe nuk gjeti shkelje të Nenit 3 të Konventës, pasi sipas Kushtetutës së Qipros, Presidenti, në bazë të një marrëveshje me Attorney-General mundet, në çdo kohë, të zbusë një dënim me burgim të përjetshëm duke e zëvendësuar atë me një dënim më të shkurtër e pastaj me lirim. Ishte e vërtetë se proçedura kishte disa mangësi: nuk kishte kritere të publikuara që tregonin mënyrën si Presidenti ushtronte diskrecionin e tij, nuk kishte detyrim për t’ia bërë të ditur një të burgosuri opinionin e Attorney-General për kërkesën e tij e as praktikë të tillë, as mundësi për rishqyrtim gjyqsor. Ishte e vërtetë po ashtu se perspektiva për lirimin e një të dënuari të përjetshëm ishte e kufizuar, përderisa çdo modifikim i një dënimi me burgim të përjetshëm i lihej diskrecionit të Presidentit. Megjithatë, ekzistonin një numër shembujsh konkretë ku Presidenti e kishte ushtruar këtë diskrecion dhe kishte urdhëruar lirimin e të burgosurve të përjetshëm. Ndaj nuk mund të thuhej se Z. Kafkaris ishte privuar nga çdo perspektivë lirimi (ibid., §§ 102-05).
245. Çështja e pajtueshmërisë se dënimeve të përjetshme të pareduktueshme me Nenin 3 të Konventës është shqyrtuar sërish nga Dhoma e madhe në çështjen më të fundit Vinter dhe të Tjerë (cituar më lart). Dhoma e Madhe rishqyrtoi në detaje konsideratat relevante që rrjedhin nga jurisprudenca e Gykatës, nga tendencat krahasuese dhe të së drejtës ndërkombëtare në lidhje me dënimet me burgim të përjetshëm (ibid., §§ 104-18). Mbi këtë bazë, ajo u shpreh se një dënim me burgim të përjetshëm mund të ishte në pajtueshmëri me Nenin 3 të Konventës vetëm nëse ekzistonte si perspektiva e lirimit dhe mundësia e rishqyrtimit (ibid., §§ 109-10), pasi një i burgosur nuk mund të mbahej në burg pa patur arsye penologjike legjitime për burgosje. Tek arsyet përfshiheshin ndëshkimi, frenimi, mbrojtja e publikut dhe rehabilitimi. Dhoma e Madhe vërejti në mënyrë të veçantë se balanca mes justifikimeve për burgosje nuk ishte domosdoshmërisht statike dhe mund të zhvendosej gjatë vuajtjes së dënimit. Ajo çfarë kishte qenë justifikim primar për burgosje në fillim të dënimit, mund të mos ishte më e tillë pas një periudhe të gjatë në vuajtje dënimi. Ndaj, këta faktorë apo ky ndryshim balance mund të vlerësohen siç duhet vetëm nëpërmjet rishqyrtimit, në një kohë të caktuar gjatë vuajtjes së dënimit, të justifikimit për vazhdimin e qëndrimit në burg. Në rast se një i burgosur, burgosej pa asnjë perspektivë lirimi dhe pa patur mundësinë e rishqyrtimit të dënimit të tij me burgim të përjetshëm, ekzistonte rreziku që ai kurrë të mos shlyhej në raport me krimin: pavarësisht çfarë kishte bërë në burg, sado i jashtëzakonshëm progresi i tij drejt rehabilitimit, ndëshkimi për të mbetej i fiksuar dhe i parishikueshëm (ibid., §§ 111-12). Prandaj Dhoma e Madhe u shpreh se do të ishte e papajtueshme me dinjitetin njerëzor - gjë që qëndronte në vetë thelbin e sistemit të Konventës - t’ia privoje forcërisht lirinë një personi pa bërë përpjekje për rehabilitimin e tij apo pa i dhënë atij shansin për ta rifituar lirinë një ditë (ibid., § 113). Ajo theksonte më tej se e drejta europiane dhe ndërkombëtare e mbështeste tashmë fare qartë parimin që të gjithë të burgosurve, përfshirë edhe ata me dënim të përjetshëm, t’u ofrohet mundësia e rehabilitimit dhe perspektiva e lirimit, nëse është realizuar ky rehabilitim (ibid., § 114). Ndërsa ndëshkimi vazhdonte të ishte një nga qëllimet e burgimit, tashmë në politikën penale europiane, sic shprehet në Rregullat 6, 102.1 dhe 103.8 të Rregullores Europiane të Burgjeve, Rezoluta 76(2) dhe Rekomandimet 2003(23) dhe 2003(22) të Komitetit të Ministrave, deklaratat e CPT-s, dhe në praktikat e një numuri Shtetesh Kontraktuese, dhe në të drejtën ndërkombëtare, siç shprehet, inter alia, nga neni 10 § 3 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Komenti i Përgjithshëm për këtë Nen, theksi vihej tek qëllimi rehabilitues i burgosjes edhe në rastet e të burgosurve të përjetshëm (ibid., §§ 115-18).
246. Bazuar në këtë analizë, Dhoma e Madhe vendosi të hedhë poshtë vendimin e mëparshëm të Dhomës dhe të bëjë propozimet e mëposhtme në lidhje me dënimet me burgim të përjetshëm:
(a) Në kontekstin e një dënimi me burgim të përjetshëm, Neni 3 i Konventës duhet të interpretohet si në nen që kërkon reduktueshmërinë e dënimit, në kuptimin e rishikimit që i lejon autoritetet e brendëshme të marrin në konsideratë nëse çdo ndryshim tek i burgosuri i përjetshëm është aq domethënës, dhe progresi i bërë drejt rehabilitimit gjatë procesit të vuajtjes së dënimit është i tillë që nënkuptojnë se vazhdimi i mbajtjes në burg nuk mund të jetë më i justifikueshëm për arsye penologjike legjitime (ibid., § 119);
(b) Duke marrë parasysh hapësirën e vlerësimit që i duhet lënë Shteteve Kontraktuese në çështjet e drejtësisë penale dhe dënimeve, nuk është detyrë e Gjykatës përshkrimi i formës - ekzekutive apo gjyqësore - në të cilën duhet bërë ky rishikim, apo të përcaktojë se kur duhet të ndodhë ky rishikim. Megjithatë, materialet e të drejtës krahasuese dhe ndërkombëtare tregojnë mbështetje të qartë për ngritjen e një mekanizmi të dedikuar që garanton rishikimin jo më vonë se njëzet e pesë vite pas dhënies së dënimit me burgim të përjetshëm, me mundësinë e rishikimeve të mëtejshme periodike pas kësaj (ibid., § 120);
(c) Atje ku e drejta e brendëshme nuk e parashikon mundësinë për këtë rishikim, një dënim me burgim për gjithë jetën nuk i përgjigjet standardeve të Nenit 3 të Konventës (ibid., § 121);
(d) Megjithëse rishikimi i nevojshëm është diçka që ndodh në të ardhmen me nisjen e vuajtjes së dënimit, një i burgosur me dënim për gjithë jetën nuk duhet të jetë i detyruar të presë dhe vuajë një numër të pacaktuar vitesh të dënimit të tij përpara se të mund të ankohet se kushtet ligjore të vëna për dënimin e tij nuk janë pajtueshmëri me kërkesat e Nenit 3 të Konventës në këtë drejtim. Kjo do të ishte në kundërshtim si me sigurinë ligjore edhe me parimet e përgjithëshme për statusin e viktimës në kuptimin e këtij termi në Nenin 34 të Konventës. Gjithashtu, në rastet kur dënimi, kur vihet, sipas të drejtës së brendëshme, është i pareduktueshëm, do të ishte kapriçioze të prisje që i burgosuri të punonte për rehabilitimin e tij pa ditur nëse, në një datë të paspecifikuar, në një të ardhme, mund të krijohej një mekanizëm që, në bazë të këtij rehabilitimi, do të lejonte shqyrtimin e lirimit të tij. Një i burgosur me dënim për gjithë jetën ka të drejtën të dijë, që kur jepet dënimi, se çfarë i duhet të bëjë që të mund të konsiderohet për lirim dhe në çfarë kushtesh, përfshirë edhe se kur mund të ndodhë marrja në shqyrtim për rishikim të dënimit të tij apo kur mund të kërkohet një gjë e tillë. Rrjedhimisht, atje ku e drejta e brendëshme nuk parashikon ndonjë mekanizëm apo mundësi për rishikimin e dënimit për gjithë jetën, papajtueshmëria me Nenin 3 të Konventës për këtë arsye del që në momentin e dhënies së dënimit e jo në një fazë të mëvonshme të burgosjes (ibid., § 122).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve tek kjo çështje
247. Gjykata vëren që në fillim që Z. Harakchiev nuk ka kërkuar të argumentojë se dënimi i tij ishte veçanërisht joproporcional në raport me seriozitetin e veprës së tij penale, apo se nuk kishte më arsye penologjike legjitime për vazhdimin e qëndrimit të tij në burg (shiko Vinter dhe të Tjerë, cituar më lart, § 102). Ankesa e tij kishte të bënte më shumë me efektet e atij e dënimi.
248. Në Bullgari, dënimi me burgim për gjithë jetën - gjë që nuk kishte ekzistuar më parë në të drejtën penale bullgare - ishte futur në Dhjetor të vitit 1998, kur Parlamenti kishte hequr formalisht dënimin me vdekje (shiko paragrafet 51, 52 dhe 58 lart). Ky dënim - siç konfirmohet edhe nga komentet e Qeverisë në çështjen në fjalë - konsiderohet si "provizor" dhe "i jashtëzakonshëm", dhe rezervohet për vepra (a) që “kërcënojnë themelet e Republikës” ose janë veçanërisht serioze dhe të qëllimshme dhe (b) në lidhje me të cilat “qëllimet e ndëshkimit... nuk mund të arrihen me anë të një dënimi më të butë” (shiko paragrafet 59 dhe 60 lart). Ai ekziston paralelisht me dënimin me burgim "thjesht" të përjetshëm, që ekziston që nga vitit 1995 e që mund të ulet (shiko paragrafet 56, 65 dhe 71 lart).
249. Gjykata vëren më tej se dënimi me burgim për gjithë jetën konsiderohej si "provizor " dhe "i jashtëzakonshëm", dhe se projekt-Kodi Penal i ri, i cili është dërguar së fundmi në Parlament, në fund të Janarit 2014, parashikon vetëm burgimin e përjetshëm " të thjeshtë", domethënë që mund të ulet (shiko paragrafin 67 lart) pasi, sipas shënimit shpjegues për projekt-Kodin, burgimi për gjithë jetën "aktualisht perceptohet si shumë jo human për shkak të mungesës së çdo shprese për personat me këtë dënim” (shiko paragrafin 68 lart). Duket se, pasi të jetë miratuar, ky Kod do të garantojë të njëjtën perspektivë shprese për rishikim të dënimit edhe për ata që aktualisht janë duke vuajtur dënimin me burgim për gjithë jetën ashtu si edhe për ata me burgim të përjetshëm.
250. Zgjedhja e një Shteti në lidhje me sistemin e drejtësisë penale, përfshirë rregullimin e rishikimit të dënimit dhe lirimit, në parim, siç edhe është vërejtur tashmë, mbetet jashtë fushës së veprimit dhe mbikqyrjes së bërë nga Gjykata, dhe thjesht dhënia e një dënimi me burgim të përjetshëm për një autor vepre penale, në moshë madhore, në vetvete, nuk ndalohet nga Neni 3 apo ndonjë Nen tjetër i Konventës.
251. Në dritën e jurisprudencës së saj, për Gjykatën pyetja ishte nëse dënimi i dhënë për Z. Harakchiev mund të klasifikohej si i pareduktueshëm, domethënë, nëse kishte një perspektivë lirimi apo mundësi rishikimi. Gjykata në lidhje me këtë vëren se, ndërsa ligji bullgar nuk lejon lirimin me kusht të Z. Harakchiev – një masë kjo e zbatueshme vetëm për të burgosurit me dënim me numër vitesh të përcaktuar (shiko paragrafin 70 lart) – dhe ndërsa Z. Harakchiev nuk mund të shpresojë për një vendim gjykate për konvertimin e dënimit të tij për gjithë jetën në një dënim më të butë, ligji parashikon dy masa të faljes presidenciale: ose falje e plotë, ose ulje e dënimit të tij (paragrafët 72-74 lart). Në rastin e një falje të plotë, Z. Harakchiev mund të lirohej menjëherë dhe pa kushte. Në rast ndryshimi të dënimit të tij, edhe në rast se ai vetëm zëvendësohej me burgim të përjetshëm, siç ndodhi në rastin e një të burgosuri të përjetshëm në Janar 2013 (shiko paragrafët 99-101 lart), për Z. Harakchiev mbetet e hapur mundësia për të kërkuar ulje gjyqësore e pastaj mbase edhe lirim me kusht.
252. Në çështjen Iorgov (nr. 2) ([Iorgov k. Bullgarisë (nr 2), nr. 36295/02, 2 Shtator 2010], §§ 48-60), vendimi për të cilen u mor pas Kafkaris (cituar më lart), por përpara Vinter dhe të Tjerë (cituar më lart), një Dhomë e Seksionit të Pestë të Gjykatës mori në analizë të gjitha këto rregullime kushtetuese dhe legjislative deri në vitin 2009. Ajo vërejti se edhe në periudhën midis viteve 2002 dhe 2009, kompetenca presidenciale e faljes ishte ushtruar në rastin e 477 të burgosurve, megjithatë një falje e tillë nuk ishte dhënë për asnjë nga ata që vuanin dënimin me burg për gjithë jetën. Dhoma megjithatë konkludoi se, siç ishin gjërat, nuk mund të thuhej se Z. Iorgov, i cile qe dënuar me burgim për gjithë jetën, i ishte privuar çdo shpresë për t’u liruar një ditë nga burgu. Edhe pse, deri në Nentor 2009, asnjë të burgosuri të përjetshëm nuk i ishte dhënë falja presidenciale, kjo nuk mjaftonte për të treguar se burgimi për gjithë jetën ishte i pandryshueshëm de facto. Ky dënim ishte futur në të drejtën bullgare fare vonë, në Dhjetor 1998, pas heqjes së dënimit me vdekje. Kjo nënkuptonte se ishte e pamundur që një numër i madh personash në vuajtje të një dënimi të tillë, përfshirë Z. Iorgov, të kishin bërë burg për një periudhë mjaftueshëm të gjatë që të mund të përfitonin faljen presidenciale. Nuk kishte asgjë që të bënte të mendoje se nëse Z. Iorgov aplikonte në kohën e duhur për një falje të tillë, kërkesa e tij nuk do të trajtohej siç duhej duke iu referuar një numuri të gjerë kriteresh. Ndaj dhe nuk mund të thuhej se ai nuk kishte shpresë për lirim, e rrjedhimisht nuk kishte patur shkelje të Nenit 3 të Konventës (shiko Iorgov (nr. 2), cituar më lart, §§ 52-60).
253. Megjithatë, në dritën e vendimit të mëvonshëm të Dhomës së Madhe, në paragrafin 122 të Vinter dhe të Tjerë (cituar në paragrafin 246(d) lart), Gjykata nuk mund të ndjekë të njëjtën qasje për çështjen në fjalë. Kjo qasje bazohet në supozimin se mungesa e një mundësie të vërtetë për të përfituar ulje të dënimit me burgim të përjetshëm mund të përbëjë shkelje të Nenit 3 të Konventës kur arrihet në një pikë kur i burgosuri i përjetshëm ka vuajtur tashmë një periudhë mjaftueshëm të gjatë të dënimit të tij dhe ka bërë progres të mjaftueshëm për të paturr një shans realist për të bindur autoritetin kompetent për uljen e dënimit. Ky supozim qëndronte në bazë të vendimeve të gjykatave të brendëshme dhe shumicës së Dhomës në çështjen Vinter dhe të Tjerë, të cilët ishin kryesisht të pikëpamjes se një dënim i përjetshëm pa ulje nuk përbënte shkelje të Nenit 3 të Konventës deri atëherë kur mbajtja e mëtejshme në burg e të burgosurit të përjetshëm nuk do të ishte më e justifikuar (shiko Vinter dhe të Tjerë, cituar më lart, §§ 48, 49, 56, 87 dhe 91). Kjo linjë arsyetimi u refuzua në mënyrë eksplicite nga Dhoma e Madhe në atë rast (ibid., § 122).
254. Si rezultat, në çështjen aktuale, përvec analizimit me kujdes të proçedurave aktuale që i japin personave si Z. Harakchiev, që janë duke vuajtur një dënim me burgim për gjithë jetën, mundësinë për rishikim të atij dënimi, Gjykata duhet të verifikojë nëse ligji bullgar siguronte një mundësi të përshtatshme për një rishikim të vendimit për Z. Harakchiev në kohën kur ky vendim është bërë i formës së prerë - Nentor 2004 - e që atëherë.
255. Është e qartë se dënimi, të paktën që nga amendimi i Nenit 74 të Kodit Penal të viti 1968, i efektshëm që nga 13 Tetori 2006 (shiko paragrafin 74 lart), është de jure i ndryshueshëm. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ka qenë kështu edhe përpara atij amendimi. Sipas formulimit përpara 13 Tetorit 2006, Neni 74, edhe pse shprehimisht nuk e përjashtonte mundësinë, nuk shpallte në terma të qartë se falja presidenciale e faljes ishte e zbatueshme edhe për burgimin për gjithë jetën dhe atë të përjetshëm (shiko paragrafin 73 lart). Meqë përpara Tetorit 2006 nuk kishte asnjë rast që Presidenti apo Zëvendës-Presidenti të kishin ushtruar kompetencën e faljes në lidhje me një të burgosur që ishte duke vuajtur një dënim me burgim për gjithë jetën (shiko paragrafin 87 lart), dhe përderisa nuk ekzistonte një interpretim autoritar bashkëkohës i ligjit në lidhje me faljen presidenciale, është e vështirë të thuhet nëse ai Nen ishte në gjendje të interpretohej, më vete apo në lidhje me Nenin 98, pika 11 e Kushtetutës së 1991, si i tillë që të nënkuptonte se ai dënim ishte brenda fushës së veprimit të kompetencës presidenciale të faljes edhe pse nuk përmendej në mënyrë specifike në tekstin e Nenit. Kjo pasiguri doli edhe nga deklaratat e bëra nga antarët e Parlamentit gjatë debateve që shoqëruan futjen e burgimit për gjithë jetën (shiko paragrafin 63 dhe 64 lart), ngabfakti që ligjvënësi më pas e pa të domosdoshme ta qartësonte këtë pikë me anë të një amendamenti ligjor, si dhe nga fakti që, në vitin 2012, një grup parlamentarësh i kërkuan Gjykates Kushtetuese një interpretim detyrues të Nenit 98, pika 11, të Kushtetutës së vitit 1991, veçanërisht për pikën nëse kompetenca presidenciale e faljes pëfshinte të gjitha llojet e dënimeve penale (shiko paragrafin 76 lart). Në këto rrethana, Gjykata nuk është e bindur se, në kohën kur dënimi Z. Harakchiev u bë përfundimtar, ishte e qartë që ai de jure ishte një dënim i ndryshueshëm.
256. Sido që të jetë, Gjykata nuk është e bindur se, gjatë periudhës relevante, dënimi i Z. Harakchiev ishte po ashtu de facto i ndryshueshëm, e se gjatë gjithë periudhës së qendrimit të tij në burg ai mund të konsiderohej se ishte në dijeni të ekzistencës së një mekanizmi që do të lejonte marrjen e tij në konsideratë për falje.
257. Në sistemin aktual, që bazohet në vendimet e mara nga Presidentja që mori detyrën në Janar 2012 dhe në praktikën e Komisionit të Faljes të ngritur prej saj në atë kohë (shiko paragrafët 90-107 lart) dhe, çka është më e rëndësishme, në interpretimin detyrues të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për Nenin 98, pika 11, të Kushtetutës së vitit 1991, në Prill 2012 (shiko paragrafët 76-83 lart), ekziston një qartësi e konsiderueshme për mënyrën e ushtrimit të kompetencës presidenciale të faljes.
258. Në mënyrë të veçantë, Gjykata Kushtetuese përcaktoi qëllimin e kësaj kompetence dhe u shpreh se ajo duhej ushtruar në një mënyrë jo-arbitrare, duke mbajtur parasysh barazinë, humanizmin, dhembshurinë, mëshirën, situatën shëndetësore e familjare të të dënuarit, si dhe çdo ndryshim pozitiv në personalitetin e tij. Gjykata u shpreh më tej se ndërsa Presidentit apo Zëvendës-Presidentit nuk mund t’u kërkohej të jepnin arsye për raste individuale, ata duhej të bënin të ditura kriteret e përgjithëshme që i udhëhiqnin ata në ushtrimin e kompetencës së faljes. Në fund, gjykata u shpreh se një dekret faljeje mund të kundërshtohej ligjërisht përpara saj, megjithëse në bazë të ca kushteve kufizuese, veçanërisht në lidhje me kohëzgjatjen (shiko paragrafët 76-83 lart). Ai vendim siguron garanci me peshë për ushtrimin e kompetencës presidenciale të faljes në mënyrë konsistente dhe gjerësisht të parashikueshme.
259. Veç kësaj, rregullat që rregullojnë punën e Komisionit të Faljes pranë Zëvendës-Presidentit sigurojnë që në punën e tij Komisioni duhet të mbajë parasysh, inter alia, jurisprudencën e gjykatave ndërkombëtare dhe të organeve të tjera për interpretimin dhe zbatimin e instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në fuqi për Bullgarinë (shiko paragrafin 91 lart). Praktikat e ndjekura nga Komisioni që me nisjen e punës së tij, në fillim të vitit 2012 – veçanërisht ato në lidhje me publikimin e kritereve që e udhëheqin atë në shqyrtimin e kërkesave për falje, arsyet e rekomandimeve të tij drejtuar Zëvendës-Presidentit për të ushtruar kompetencën e faljes për raste individuale, dhe informacionet statistikore relevante (shiko paragrafët 94-107 lart) – kanë rritur po ashtu edhe transparencën dhe përbëjnë një tjetër garanci të ushtrimit konsistent dhe transparent të kompetencave presidenciale në këtë drejtim.
260. Së fundi, duhet mbajtur parasysh që, edhe pse vetëm në Dhjetor 2012, Komisioni i Faljes i ka propozuar Zëvendës-Presidentes zëvendësimin e dënimit të një të burgosuri me burg për gjithë jetën me burgim të përjetshëm, bazuar tek reformimi i të burgosurit, dhe që në Janar 2013 Zëvendës-Presidentja e ka pranuar propozimin (shiko paragrafët 99-101 lart). Siç është vënë në dukje nga Komisioni e, në fakt, edhe nga Qeveria në komenetet e saj, ky rast i demonstron të gjithëve personave, si Z. Harakchiev, të dënuar me burgim të përjetshëm se ata mund ta përmirësojnë situatën e tyre (shiko paragrafët 100 lart).
261. Pra duket se nëse Presidenti dhe Zëvendës-Presidentja aktuale dhe të tjerët pas tyre vazhdojnë ta ushtrojnë kompetencën e në përputhje me parimet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2012 dhe me praktikat e ndjekura në po atë vit, dënimi me burgim për gjithë jetën i Z. Harakchiev mund të konsiderohet si de facto i reduktueshëm, e se që nga kjo kohë mund të konsiderohet se ai është në dijeni të ekzistencës së një mekanizmi që lejon marrjen e tij në konsideratë për falje apo ulje të dënimit. Eshtë e vërtetë që disa nga rregullat e zbatueshme nuk përcaktohen në Kushtetutë apo në një ligj, por në një dekret presidencial. Megjithatë, siç është theksuar tashmë, nuk është detyrë e Gjykatës të përshkruajë formën në të cilët bëhet rishikimi i kërkuar.
262. Megjithatë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë në lidhje me periudhën mes datës kur dënimi është bërë përfundimtar - Nëntor 2004 - dhe të paktën muajve të parë të vitit 2012. Në kohën e administratës së mëparëshme presidenciale, e cila kishte qenë në detyrë për dy mandate, i pari mes 22 Janarit 2002 dhe 22 Janarit 2007 dhe i dyti mes 22 Janarit 2007 dhe 22 Janarit 2012, mënyra e ushtrimit të kompetencës presidenciale të faljes ishte shumë opake, pa politika të shpallura publikisht dhe pa arsyetim të vendimeve të faljes të dhëna për raste individuale (shiko paragrafin 87 lart). Në të vërtetë, gjykata nuk mund të anashkalojë faktin që, gjatë debatit të tyre në vitin 1998, anëtarë parlamenti kërkuan garanci që diskrecioni i Presidentit nuk do të ushtrohej në lidhje me persona të dënuar me burgim për gjithë jetën, dhe se në vitin 2012 Parlamenti e pa të domosdoshme të ngrinte një komitet ad hoc për të hetuar mbi këtë çështje (shiko paragrafin 89 lart). Nuk kishte as ndonjë shembull konkret që tregonte se personat në situatën e Z. Harakchiev mund të shpresonin të përfitonin nga ushtrimi i kësaj kompetence (kontrasto Kafkaris, cituar lart, § 103). Është e vërtetë që mungesa e shembujve të tillë mund të shpjegohet me faktin se dënimi me burgim për gjithë jetën nuk kishte shumë kohë që ishte futur në të drejtën bullgare, në Dhjetor 1998, e ndaj nuk kishte të ngjarë që shumë persona që po e vuanin një dënim të tillë të kishin bërë mjaftueshëm burg që të mund të kualifikoheshin për të përfituar falje (shiko Iorgov (nr. 2), cituar më lart, §§ 56-57). Megjithatë, kombinimi i një mungese të plotë garancish formale apo edhe joformale në lidhje me ushtrimin e kompetencës presidenciale të faljes, bashkuar me mungesën e ndonjë shembulli që do të mund të jepte idenë se një person që është duke vuajtur një dënim me burg për gjithë jetën do të mund të përfitonte rishikim të këtij dënimi dhe në çfarë rrethanash, e bën Gjykatën të konkludojë se, në periudhën mes Nëntorit 2004 dhe fillimit të vitit 2012, dënimi i Z. Harakchiev nuk mund të konsiderohej de facto i reduktueshëm. Nga paragrafi 122 i vendimit të Dhomës së Madhe në çështjen Vinter dhe të Tjerë (cituar në paragrafin 246(d) lart) rrjedh domosdoshmërisht se, në çështje të tilla, shkelja e Nenit 3 të Konventës konsiston në privimin e të burgosurit, për çfarëdolloj periudhe kohore, nga çdo lloj shprese për lirim, sado e zbehtë qoftë kjo shpresë.
263. Thënë kjo, në çështjen aktuale, në të cilën kërkuesit kanë bërë ankesa serioze në lidhje me regjimin dhe kushtet e tyre të burgimit (shiko paragrafin 179 lart), është edhe një aspekt tjetër në shqyrtimin e Gjykatës: nëse, nisur nga regjimi dhe kushtet e burgimit të Z. Harakchiev, ai mund të konsiderohet se ka një mundësi të vërtetë për të reformuar vetveten e kështu të përpiqet të bindë Presidentin apo Zëvendës-Presidentin për ushtrimin e kompetencës së faljes në lidhje me të. Gjithashtu, në lidhje me këtë, duhet vënë në dukje se në çështjen Vinter dhe të Tjerë (cituar më lart, § 122) Dhoma e Madhe është shprehur se një “i burgosur i përjetshëm ka të drejtën të dijë, që në fillim të dënimit të tij, se çfarë i duhet të bëjë për t’u konsideruar për lirim dhe në çfarë kushtesh” (shiko paragrafin 246(d) lart).
264. Ndërsa Konventa nuk garanton, si të tillë, të drejtën e rehabilitimit, dhe Neni 3 nuk mund të interpretohet se i ngarkon autoriteteve detyrën absolute për t’u siguruar të burgosurve programe dhe aktivitete rehabilituese apo riintegruese, të tilla si kurse apo këshillim, ai u kërkon autoriteteve t’u japin të burgosurve të përjetshëm një shans, sado të largët, që një ditë të mund të rifitojnë lirinë e tyre. Që ky shans të jetë i prekshëm dhe i vërtetë, autoritetet duhet gjithashtu t’u japin të burgosurve të përjetshëm mundësinë e duhur për të rehabilituar veten. Në të vërtetë Gjykata ka patur tashmë rastin të vërejë se vitet e fundit ka patur një tendencë drejt vendosjes së një theksi më të madh tek rehabilitimi, i cili konsiston në idenë e ri-socializimit përmes nxitjes së përgjegjësisë personale (shiko Dickson k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 44362/04, § 28, ECHR 2007-V, dhe Vinter dhe të Tjerë, cituar më lart, §§ 113-18). Kjo duket në harmoni të plotë me qëllimin e parë të ndëshkimit penal, siç përcaktohet nga Neni 36 i Kodit Penal bullgar (shiko paragrafin 53 lart), si dhe nga Neni 10 § 3 i Paktit Ndërkombëtar i të Drejtave Civile dhe Politike, në fuqi për Bullgarinë që nga viti 1970, i cili siguron që qëllimi thelbësor i trajtimit të të burgosurve është reformimi dhe rehabililitimi social i tyre (shiko paragrafët 157 dhe 158 lart). Kjo është po ashtu pjesë e qenësishme e shumë instrumenteve, siç është thënë tashmë, të cilave Gjykata u jep rëndësi të konsiderueshme pavarësisht karakterit të tyre jo-detyrues (shiko, mutatis mutandis, Rivière [Rivière k. Francës, nr. 33834/03, 11 Korrik 2006], § 72, dhe Dybeku [Dybeku k. Shqipërisë, nr. 41153/06, 18 dhjetor 2007], § 48 ...): Rregullat 6, 33.3, 102.1 dhe 107.1 të Rregullores Europiane të Burgjeve 2006, pikat 6 dhe 11 të Rezolutës 76(2) të Komitetit të Ministrave, dhe paragrafët 2 in fine, 5 dhe 33 të Rekomandimit 2003(23) për menaxhimin, nga administrata e burgut, e të burgosurve me burgim të përjetshëm dhe dënime të tjera afat-gjatë, të cilët theksojnë se lipsen bërë përpjekje nga autoritetet e burgut për të promovuar riintegrimin dhe rehabilitimin e të gjithë të burgosurve, përfshirë edhe ata që vuajnë një dënim të përjetshëm (shiko paragrafët 159, 161 dhe 162 lart).
265. Kjo është, sigurisht, një fushë ku Shtetet Kontraktuese gëzojnë një hapësirë të madhe vlerësimi. Megjithatë, regjimi dhe kushtet e burgimit të një të burgosuri të përjetshëm nuk mund të shikohen si një çështje indiference në këtë kontekst. Këto kushte dhe regjimi duhet të jenë të tillë që t’ua bëjnë të mundur të burgosurve të përjetshëm përpjekjen për të reformuar vetveten, me qëllim që një ditë të mund të kërkojnë rishikim të dënimit të tyre.
266. Edhe në rast se një i burgosur i përjetshëm bullgar tani “e di se çfarë duhet të bëjë për t’u konsideruar për lirim dhe në çfarë kushtesh (shiko paragrafin 246(d) lart), të burgosur zi Z. Harakchiev, si rregull – ndryshe nga situata e Z. Iorgov, regjimi i të cilit kishte pësuar një lehtësim gradual nëpërmjet një “eksperimenti” në Burgun Pleven (shiko paragrafin 209 lart) – i nënshtrohen një regjimi burgu veçanërisht të rreptë, që parashikon izolim thuajse të plotë dhe mundësi shumë të kufizuara për kontakte sociale, punë dhe edukim ... Në çështjen aktuale, pavarësisht disa variacioneve në regjimin e tij të burgut, në praktikë, Z. Harakchiev qëndronte gjithmonë i mbyllur në qeli dhe i izoluar nga pjesa tjetër e të burgosurve, me mundësi shumë të kufizuara për t’u angazhuar në punë apo kontakte sociale, gjatë gjithë kohës së burgosjes së tij (shiko paragrafët 12, 23, 32 dhe 177 lart). Në pikëpamjen e Gjykatës, efektet e dëmshme të atij regjimi të varfër, bashkuar me kushtet materiale të pakënaqshme në të cilat mbahej Z. Harakchiev, duhet të kenë dobësuar seriozisht mundësinë e tij për të reformuar veten për t’i krijuar kështu një shpresë të vërtetë që një ditë mund të arrinte e të demonstronte progresin e bërë dhe të fitonte ulje të dënimit. Kësaj i duhet shtuar edhe mungesa e vlerësimeve periodike konsistente të progresit të tij drejt rehabilitimit. Është e vërtetë që Z. Harakchiev ka qenë subjekt i vlerësimeve psikologjike vjetore ... megjithatë, vlen të vihet në dukje se Standardet Kombëtare për trajtimin e të burgosurve të përjetshëm, dalë në vitin 2007, duket se kanë për qëllim të ndihmojnë të burgosurit e përjetshëm më shumë të përshtaten me dënimin e tyre se sa të punojnë për rehabilitimin e tyre (shiko paragrafin 135 lart). Po ashtu këto standarde nuk e bëjnë të qartë nëse çdo ndryshim pozitiv tek të burgosurit e përjetshëm duhet të jetë rezultat i përpjekjeve të tyre apo i një qasje proaktive nga ana e autoriteteve të burgut, siç rekomandohet nga CPT (shiko paragrafin 165 lart).
267. Duke marrë parasysh konsideratat e mësipërme, Gjykata konkludon se ka patur një shkelje të Nenit 3 të Konventës.
268. Duke mbërritur në këtë konkluzion, Gjykata do të vinte në dukje se natyra e ankesës së Z. Harakchiev (shiko paragrafin 247 lart) dhe gjetja e një shkelje në lidhje me atë ankesë nuk mund të kuptohet se i jep atij perspektivën e lirimit të menjëhershëm.
...
V. ZBATIMI I NENIT 46 TË KONVENTËS
278. Neni 46 i Konventës siguron, për aq sa është relevante:
“1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikëqyr ekzekutimin e tij. ...”
279. Sipas këtij Neni, Palët Kontraktuese kanë marrë përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ata janë palë, ekzekutimi i të cilit mbikëqyret nga Komiteti i Ministrave. Nga kjo rrjedh, inter alia, se një vendim ku Gjykata gjen një shkelje të Konventës apo Protokolleve të saj, vendos mbi Shtetin e paditur detyrimin ligjor jo thjesht t’u paguajë personave në fjalë shumat e akorduara në bazë të Nenit 41 të Konventës me anë të shpërblimit të drejtë, por edhe të adoptojnë, nën mbikqyrjen e Komitetit të Ministrave, masa të përgjithëshme dhe/ose, nëse është e domosdoshme, individuale në sistemin ligjor të brendshëm për t’i dhënë fund shkeljes së gjetur nga Gjykata dhe për të korrigjuar sa më shumë të jetë e mundur efektet e krijuara. I takon në radhë të parë Shtetit në fjalë të zgjedhë, nën mbikqyrjen e Komitetit të Ministrave, mjetet që duhen përdorur në sistemin ligjor të brendshëm për përmbushjen e këtij detyrimi. Megjithatë, me qëllimin për ta ndihmuar Shtetin e paditur në përmbushjen e tij, Gjykata mund të përpiqet të tregojë llojin e masës individuale dhe/ose të përgjithëshme që mund të merret për t’i dhënë fund situatës që ajo ka konstatuar (shiko, si një autoritet më të vonshëm, Stanev k. Bullgarisë [GC], nr. 36760/06, §§ 254-55, ECHR 2012).
280. Shkelja e Nenit 3 të Konventës e gjetur në çështjen aktuale, në lidhje me regjimin dhe kushtet e burgimit të kërkuesëve, rrjedh në një pjesë të madhe nga dispozitat relevante të Aktit të Ekzekutimit të Dënimeve dhe Para-Burgimit të vitit 2009 dhe rregullorja e tij zbatuese (shiko paragrafët 203-214 lart). Ajo zbulon një problem sistemik që është bërë shkas tashmë për kërkesa të ngjashme (shiko Chervenkov [Chervenkov k. Bullgarisë (nr. 45358/04, 27 Nëntor 2012], §§ 50 dhe 69-70, dhe Sabev [Sabev k. bullgarisë, nr. 27887/06, 28 Maj 2013], §§ 72 dhe 98-99, të dyja të cituara më lart), e mund të çojë edhe në kërkesa të tjera të këtij lloji. Natyra e shkeljes sugjeron se për ekzekutimin në mëyrën e duhur të këtij vendimi, Shtetit të paditur do t’i duhet të reformojë, më e mira, nëpërmjet legjislacionit, kuadrin ligjor që rregullon regjimin e burgut të zbatueshëm për personat e dënuar me burgim të përjetshëm me apo pa mundësi ulje. Kjo reformë, e rekomanduar gjithmonë nga CPT që nga viti 1999 ..., duhet të përfshijë (a) heqjen e zbatimit automatik të një regjimi burgu shumë kufizues, aktualisht i zbatueshëm, si rregull, për të gjithë të burgosurit e përjetshëm për një periudhë fillestare të paktën pesë-vjeçare, dhe (b) vendosjen e dispozitave që parashikojnë mundësinë për vendosjen - dhe mbajtjen - e një regjimi të posaçëm sigurie në bazë të një vlerësimi risku individual të secilit të burgosur, dhe zbatimin e tij për një periudhë jo më gjatë nga ç’është rreptësisht e domsdoshme.
...
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NË MËNYRË UNANIME,
...
5. Vendos se është shkelur Neni 3 i Konventës në lidhje me pamundësinë e Z. Harakchiev për të përfituar ulje të dënimit të tij me burgim për gjithë jetën që nga koha kur ky është bërë i formës së prerë;
6. Vendos se konstatimi i shkeljes se Nenit 3 të Konventës në lidhje me pamundësinë e Z. Harakchiev për të përfituar ulje të dënimit të tij me burgim për gjithë jetën, që nga koha kur ky është bërë i formës së prerë, përbën në vetvete shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm jo-material pësuar prej tij për këtë arsye;
...
Bërë në anglisht, dhe njoftuar me shkrim më 8 Korrik 2014, në përputhje me Rregullin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Fatoş AracıIneta Ziemele
Zëvendës SekretarPresidente
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy