© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E HASSAN kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesa nr. 29750/09)
VENDIM
STRASBURG
16 shtator 2014
Ky vendim është përfundimtar por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Përmbajtja:
PROCEDURA
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Pushtimi i Irakut
B. Kapja e vëllait të kërkuesit nga forcat britanike
C. Paraburgimi në Kampin Bucca
D. Procesi i ekzaminimit
E. Prova lidhur me praninë e Tarek Hassanit në kampin e mbajtjes së civilëve në Kamp Bucca dhe lirimi i tij i mundshëm
F. Zbulimi i trupit të Tarek Hassanit
G. Korrespondenca me Avokatët e Thesarit dhe procedurat ligjore
II. LIGJI DHE PRAKTIKA PËRKATËSE NDËRKOMBËTARE DHE VENDASE
A. Dispozitat përkatëse të Konventës së Tretë dhe të Katërt të Gjenevës
B. Konventa e Vjenës për Ligjet dhe Traktatet, 1969, Neni 31
C. Praktika Gjyqësore e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi marrëdhënien mes të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut
D. Raporti i Grupit të Studimit të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi Fragmetimin e të Drejtës Ndërkombëtare
E. Vendimi i Dhomës së Lordëve në çështjen Al-Jedda
F. Derogimet lidhur me paraburgimin sipas nenit 15 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe nenit 4 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike
E DREJTA
I. VLERËSIMI I GJYKATËS NË LIDHJE ME PROVAT DHE KOSTATIMIN E FAKTEVE
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
2. Qeveria
B. Vlerësimi i fakteve nga Gjykata
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENEVE 2 DHE 3 TË KONVENTËS
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
2. Qeveria
B. Vlerësimi i Gjykatës
III. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 5 §§ 1, 2, 3 DHE 4 TË KONVENTËS
A. Juridiksioni
1. Parashtrimet e palëve
2. Vlerësimi i Gjykatës
B. Themelet e ankesave sipas nenit 5 §§ 1, 2, 3 dhe 4
1. Parashtrimet e palëve
2. Vlerësimi i Gjykatës
PJESA OPERATIVE
MENDIMI PJESËRISHT PAKICË I GJYQTARIT SPANO SË BASHKU ME GJYQTARËT NICOLAOU, BIANKU DHE KALAYDJIEVA
Në çështjen e Hassan kundër Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, Kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Dragoljub Popović,
George Nicolaou,
Luis López Guerra,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ledi Bianku,
Zdravka Kalaydjieva,
Vincent A. De Gaetano,
Angelika Nußberger,
Paul Mahoney,
Faris Vehabović,
Robert Spano, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendëskancelar,
Pas konsultimeve me dyer të mbyllura më 11 dhjetor 2013 dhe 25 qershor 2014,
Merr vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me një kërkesë (nr. 29750/09) kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore të depozituar në Gjykatë në përputhje me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një shtetas irakian, Z. Khadim Resaan Hassan (“kërkuesi”), më 5 qershor 2009.
2. Kërkuesi përfaqësohej nga Znj. P. Shiner, avokate në Birmingam, së bashku me Z. T. Otty, QC, dhe Z. T. Hickman, avokatë në Londër. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (“Qeveria”) përfaqësohej nga Agjentja e saj, Znj. R. Tomlison, nga Zyra për Punë të Jashtme dhe të Commonwealth-it.
3. Kërkuesi pretendoi që vëllai i tij u arrestua dhe u paraburgos nga forcat britanike në Irak dhe më pas u gjet i vdekur në rrethana të pashpjeguara. Ai u ankua mbi bazën e nenit 5 §§ 1, 2, 3 dhe 4 të Konventës që arrestimi dhe paraburgimi ishin arbitrare dhe të paligjshme dhe që atyre u mungonin mbrojtjet procedurale dhe sipas neneve 2, 3 dhe 5 që autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kishin dështuar në zhvillimin e hetimeve mbi rrethanat e paraburgimit, keqtrajtimit dhe vdekjes.
4. Kërkesa iu caktua Seksionit të Katërt të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Shqyrtimi i kërkesës u shty në pritje të miratimit të vendimit në çështjen Al-Skeini dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 55721/07, ECHR 2011. Më pas, më 30 gusht 2011, kërkesa iu komunikua Qeverisë.
5. Më 4 korrik 2013 Dhoma vendosi t’ia kalonte juridiksionin Dhomës së Madhe. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në pajtim me dispozitat e nenit 27 §§ 2 dhe 3 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
6. Si kërkuesit ashtu edhe Qeveria paraqitën deklarata me shkrim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet dhe komentet e palëve të treta u pranuan nga Profesoresha Françoise Hampson dhe Profesori Noam Lubell, nga Qendra e të Drejtave të Njeriut, Universiteti i Essex (“Pala e Tretë”).
7. Një seancë u mbajt publikisht në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 11 dhjetor 2013 (neni 59 § 3).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Znj.R. Tomlinson, Agjente,
Z.J. Eadie QC,
Z.C. Staker, Avokat,
Z.M. Addison,
Znj.A. McLeod, Këshilltarë;
(b) për kërkuesin
Z.T. Otty QC,
Z.T. Cleaver, Avokat,
Z.P. Shiner,
Znj.B. Shiner,
Znj.L. Shiner, Këshilltarë.
Gjykata dëgjoi deklarata nga Z. Eadie dhe Z. Otty dhe përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të parashtruara nga Gjykata.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
8. Faktet e çështjes, ashtu siç u parashtruan nga palët, mund të përmblidhen si vijon. Aty ku faktet vihen në pikëpyetje, është paraqitur versioni i ngjarjeve sipas secilës palë.
A. Pushtimi i Irakut
9. Më 20 mars 2003 një koalicion forcash të armatosura nën një komandë të bashkuar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një forcë të madhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe kontingjente të vogla nga Australia, Danimarka dhe Polonia, filluan pushtimin e Irakut nga pikat e tyre të grumbullimit përgjatë kufirit me Kuvajtin. Më 5 prill 2003 forcat britanike kishin zaptuar Basran dhe më 9 prill 2003 trupat e Shteteve të Bashkuara kishin marrë nën kontroll Bagdadin. Operacionet e mëdha luftarake në Irak u deklaruan të përfunduara më 1 maj 2003.
B. Kapja e vëllait të kërkuesit nga forcat britanike
10. Para pushtimit, kërkuesi ishte menaxher i përgjithshëm në sekretariatin kombëtar të Partisë Ba’ath dhe gjeneral në Ushtrinë Al-Quds, ushtria e Partisë Ba’ath. Ai jetonte në Umm Qasr, qytet port në rajonin e Basras, afër kufirit me Kuvajtin dhe rreth 50 kilometra larg Al-Basrah (Qyteti Basra). Pasi forcat britanike hynë në pushtimin e Basras, ata filluan të arrestonin anëtarë të lartë të Partisë Ba’ath. Anëtarë të tjerë të Partisë Ba’ath u vranë nga milicia irakiane. Kështu, kërkuesi dhe familja e tij u fshehën, duke lënë vëllain e kërkuesit, Tarek Resaan Hassan (prej këtu “Tarek Hassan”), dhe kushëririn e tij për të mbrojtur shtëpinë e familjes.
11. Sipas informatave të dhëna nga Qeveria, anëtarët e një njësie të ushtrisë britanike, Batalioni i Parë Roja e Zezë (angl. The Black Watch), shkuan në shtëpinë e kërkuesit herët në mëngjesin e 23 prillit 2003, me shpresën që ta arrestonin atë. Kërkuesi nuk ishte aty, por forcat britanike takuan Tarek Hassan, i cili u përshkrua në raportin e asaj kohe të hartuar nga njësia arrestuese (“procesverbali i batalionit”) si “i armatosuri”, i gjetur në çatinë e shtëpisë me automatik AK-47. Procesverbali i batalionit tregoi që “i armatosuri” u identifikua si vëllai i kërkuesit dhe që ai u arrestua rreth orës 6:30 të mëngjesit. Më tej aty u tregua që ushtarët arrestues gjetën që në shtëpi gjendeshin armë të tjera zjarri dhe disa dokumente me vlera për inteligjencën, në lidhje me anëtarësinë lokale të Partisë Ba’ath dhe Ushtrisë Al-Quds.
12. Sipas një deklarate të dhënë nga kërkuesi dhe të datuar 30 nëntor 2006, Tarek Hassan u arrestua nga trupat britanike më 22 prill 2003, në mungesë të kërkuesit. Sipas kësaj deklarate, “Kur motrat e mia iu afruan autoriteteve ushtarake britanike atyre iu tha që unë duhet të dorëzohesha tek ata para se ata të lironin vëllain tim”. Në një deklaratë të mëvonshme, të datuar 12 shtator 2008, kërkuesi nuk i përmendi motrat e tij por deklaroi që ai i kërkoi shokut të tij Saeed Teryag, dhe fqinjit të tij Haj Salem, që t’u kërkonin forcave britanike informata rreth Tarek Hassan. Kërkuesi ua kërkoi këtyre shokëve sepse ai kishte besim tek ata; Haj Salem ishte një biznesmen i respektuar dhe Saeed Teryag kishte shkuar në universitet dhe fliste anglisht. Sipas kërkuesit, “[K]ur ata iu afruan autoriteteve ushtarake britanike këta të fundit u thanë që unë duhet të dorëzohesha tek ata para se ata të lironin vëllain tim”.
13. Sipas përmbledhjes së një interviste telefonike me fqinjin e kërkuesit, Z. Salim Hussain Nassir Al-Ubody, të datës 2 shkurt 2007, Tarek Hassan u mor nga ushtarët britanikë në një datë të panjohur në prill rreth orës 4:30 të mëngjesit, me duar të lidhura prapa. Z. Al-Ubody deklaroi që ai iu afrua njërit prej irakianëve që shoqëronte ushtarët për t’i pyetur se çfarë donin, dhe iu tha që ushtarët kishin ardhur të arrestonin kërkuesin. Pas tre ditësh, kërkuesi i telefonoi Z. Al-Ubody dhe i kërkoi të gjente një roje për shtëpinë e tij dhe të mësonte nga ushtria britanike se çfarë i kishte ndodhur Tarek Hassanit. Pas dy ditësh, Z. Al-Ubody shkoi në selinë qendrore britanike në Hotelin Shatt‑Al‑Arab. Ai pyeti një përkthyes irakian nëse mund të mësonte ndonjë gjë në lidhje me Tarek Hassanin. Dy ditë më vonë, kur Z. Al-Ubody shkoi përsëri, përkthyesi e informoi që forcat britanike po e mbanin Tarek Hassanin deri sa kërkuesi të dorëzohej. Më tej përkthyesi e këshilloi Z. Al-Ubody që të mos kthehej më aty, sepse për një gjë të tillë atë mund ta merrnin në pyetje.
C. Paraburgimi në Kamp Bucca
14. Të dy palët pohuan se Tarek Hassan ishte marrë nga forcat britanike në Kamp Bucca. Ky Kamp, i ndodhur rreth 2.5 kilometra nga Umm Qasr dhe rreth 70 kilometra në jug të Al-Basrah, u ngrit fillimisht më 23 mars 2003 si objekt paraburgimi e Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, ai zyrtarisht u bë objekt i Shteteve të Bashkuara, i njohur si “Kamp Bucca”, më 14 prill 2003. Në prill 2003 Kampi përbëhej nga tetë komplekse, të ndara me tela me gjemba, ku secili prej tyre kishte vetëm një hyrje. Në secilin kompleks kishte tenda me hapje anësore ku mbaheshin disa qindra të paraburgosur, një çezmë uji, një banjo fushore dhe një zonë të pambuluar.
15. Për arsye prakticiteti operativ, Mbretëria e Bashkuar vazhdoi të mbante të paraburgosur në Kamp Bucca disa individë që kishte kapur. Njëri kompleks ishte ndarë mënjanë për të internuarit që mbaheshin nga Mbretëria e Bashkuar për shkak të dyshimeve për vepra penale. Përveç kësaj, Mbretëria e Bashkuar mbante një kompleks të ndarë në Kamp për Ekipin e Përbashkët të Marrjes në Pyetje (angl. Joint Forward Interrogation Team, JFIT). Ky kompleks ishte ndërtuar nga forcat britanike dhe vazhdoi të administrohej prej tyre. Megjithëse të paraburgosurit e kapur nga ushtritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara merreshin në pyetje në kompleksin e JFIT, dhe ekipet e hetuesve të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara që merrnin në pyetje punonin aty, ekipi JFIT i Mbretërisë së Bashkuar kontrollonte paraburgimin dhe marrjen në pyetje të të gjithë të burgosurve që mbaheshin aty. Kudo tjetër në Kamp, ushtria e Shteteve të Bashkuara ishte përgjegjëse për ruajtjen dhe shoqërimin e të paraburgosurve dhe Mbretëria e Bashkuar ishte e detyruar t’u rimbursonte Shteteve të Bashkuara kostot e mbajtjes së të paraburgosurve të kapur nga Mbretëria e Bashkuar që mbaheshin në Kamp. Shtabi i Lartë Ushtarak Britanik (policia ushtarake) kishte “përgjegjësi mbikëqyrëse” për të paraburgosurit e Mbretërisë së Bashkuar të transferuar në mbajtje të Shteteve të Bashkuara, përveç atyre që mbaheshin në kompleksin e JFIT. Të paraburgosurit e Mbretërisë së Bashkuar të cilët ishin të sëmurë ose të lënduar trajtoheshin në spitalet fushore britanike. Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar ishin përgjegjës për ndërlidhjen me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në lidhje me trajtimin e të paraburgosurve të Mbretërisë së Bashkuar dhe për njoftimin e familjeve të tyre në lidhje me paraburgimin (shih më tej paragrafin 20 poshtë). Mbretëria e Bashkuar gjithashtu mbante përgjegjësi për klasifikimin e të paraburgosurve sipas neneve 4 dhe 5 të Konventës së Tretë të Gjenevës (shih paragrafin 33 poshtë).
16. Ndërkohë që pritej që Mbretëria e Bashkuar të përdorte ndërtesa të përbashkëta për të mbajtur të paraburgosurit e Mbretërisë së Bashkuar, më 23 mars 2003 Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Australisë nënshkruan një Memorandum Marrëveshjeje (angl. Memorandum of Arrangement, “MoA”) në lidhje me transferimin e mbajtjes së të paraburgosurve, i cili parashikonte si vijon:
“Kjo marrëveshje përcakton procedurat në rast transferimi nga paraburgimi i forcave amerikane, britanike ose australiane në paraburgim të ndonjë pale tjetër, për çdo të Burgosur Lufte, të Internuar Civil, dhe të Burgosur Civil të marrë gjatë operacioneve kundër Irakut.
Palët marrin përsipër si vijon:
1. Kjo marrëveshje do të zbatohet në përputhje me Konventën e Gjenevës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës dhe Konventën e Gjenevës për Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte, si dhe me të drejtën e zakonshme ndërkombëtare.
2. Forcat e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë, siç u vendos bashkërisht, do të pranojnë (si Fuqi Pranuese) të burgosurit e luftës, të internuarit civilë, dhe të paraburgosurit civilë të cilët kanë rënë nën pushtetin e cilësdo prej palëve të tjera (Fuqia Burgosëse) dhe do të mbajnë përgjegjësi për ruajtjen dhe mbrojtjen e të gjithë këtyre individëve të cilët janë transferuar në mbajtje të tyre. Transferimet e të burgosurve të luftës, të internuarve civilë dhe të paraburgosurve civilë mes Fuqive Pranuese mund të zhvillohen ashtu siç përcaktohet në mënyrë të ndërsjellë nga Fuqia Pranuese dhe Fuqia Burgosëse.
3. Marrëveshjet për transferimin e të burgosurve të luftës, të internuarve civilë, dhe të paraburgosurve civilë të cilët janë viktima do të përshpejtohet, në mënyrë që ata të mund të trajtohen sipas prioriteteve mjekësore. Të gjitha këto transferime të tilla do të administrohen dhe do të regjistrohen brenda sistemeve të ngritura sipas kësaj marrëveshjeje për transferimin e të burgosurve të luftës, të internuarve civilë dhe të paraburgosurve civilë.
4. Të gjithë të burgosurit e luftës, të internuarit civilë dhe të paraburgosurit civilë të transferuar nga një Fuqi Burgosëse do t’i kthehen kësaj të fundit nga Fuqia Pranuese me kërkesë të Fuqisë Burgosëse.
5. Lirimi ose riatdhesimi apo zhvendosja për në territore jashtë Irakut i të burgosurve të luftës, të internuarve civilë dhe të paraburgosurve civilë të transferuar do të bëhet vetëm me marrëveshje të ndërsjellë të Fuqisë Burgosëse dhe Fuqisë Pranuese.
6. Fuqia Burgosëse ruan të drejta të plota qasjeje ndaj çdo të burgosuri lufte, të internuari civil dhe të paraburgosuri civil të transferuar nga mbajtja e Fuqisë Burgosëse ndërkohë që persona të tillë janë duke u mbajtur nga Fuqia Pranuese.
7. Fuqia Pranuese është përgjegjëse për mbajtjen e të dhënave të sakta për të gjithë të burgosurit e luftës, të internuarit civilë, dhe të paraburgosurit civilë që i janë transferuar asaj. Këto të dhëna janë në dispozicion për inspektim nga Fuqia Burgosëse me kërkesë të saj. Nëse të burgosurit e luftës, të internuarit civilë ose të paraburgosurit civilë i kthehen Fuqisë Burgosëse, të dhënat (ose një kopje e vërtetë e tyre) në lidhje me ata të burgosur lufte, të internuar civilë, dhe të paraburgosur civilë dorëzohen gjithashtu.
8. Fuqitë Burgosëse caktojnë zyrtarë për ndërlidhje me Fuqitë Pranuese për të lehtësuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
9. Fuqia Burgosëse është përgjegjësja e vetme për klasifikimin sipas neneve 4 dhe 5 të Konventës së Gjenevës në Lidhje me Trajtimin e të Burgosurve të Luftës të të burgosurve të mundshëm të luftës të kapur nga forcat e saj. Para se të përcaktohet një klasifikim i tillë, këta të paraburgosur trajtohen si të burgosur lufte dhe atyre u takojnë të gjitha të drejtat dhe mbrojtjet e Konventës edhe në qoftë se transferohen në mbajtje të Fuqisë Pranuese.
10. Kur ka dyshime se cila palë është Fuqia Burgosëse, të gjitha Palët së bashku mbajnë përgjegjësi dhe kanë qasje të plotë tek të gjithë personat e burgosur (dhe të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me trajtimin e tyre) deri sa Fuqia Burgosëse të jetë përcaktuar me marrëveshje të ndërsjellë.
11. Për aq sa ai juridiksion të mund të ushtrohet për vepra penale, duke përfshirë veprat para kapjes, kinse të kryera nga të burgosurit e luftës, të internuarit civilë, dhe të paraburgosurit civilë para transferimit tek një Fuqi Pranuese, juridiksion parësor ka Fuqia Burgosëse. Fuqitë Burgosëse marrin në konsideratë të favorshme çdo kërkesë të një Fuqie Pranuese për të hequr dorë nga juridiksioni.
12. Juridiksioni parësor në lidhje me shkeljet e rregulloreve disiplinore dhe veprat gjyqësore kinse të kryera nga të burgosurit e luftës, të internuarit civilë, dhe të paraburgosurit civilë pas një transferimi tek një Fuqi Pranuese i takon Fuqisë Pranuese.
13. Fuqia Burgosëse rimburson Fuqinë Pranuese për kostot e mbajtjes së të burgosurve të luftës, të internuarve civilë, dhe të paraburgosurve civilë të transferuar sipas kësaj marrëveshjeje.
14. Me kërkesë të njërës prej Palëve, Palët konsultohen në lidhje me zbatimin praktik të kësaj marrëveshjeje.”
17. Sipas deklaratës së dëshmitarit Major Neil B. Wilson, i cili ka shërbyer bashkë me Shtabin e Lartë Ushtarak në Kamp Bucca gjatë periudhës në fjalë, procedura e zakonshme ishte e tillë që i paraburgosuri sillej në Kamp nga një eskortë ushtarake prej njësisë së kapjes. Pas arritjes, ai vendosej në ambientet e mbajtjes së përkohshme ndërkohë që kontrolloheshin dokumentet e tij dhe i merreshin sendet personale. Nëse kërkohej, në këtë fazë ofrohej trajtimi mjekësor. Më pas i paraburgosuri procesohej në tendën e të ardhurve nga personeli i Mbretërisë së Bashkuar me ndihmën e një përkthyesi. Personit i bëhej një fotografi dixhitale e cila, së bashku me informacionet e tjera rreth të paraburgosurit, futej në bazën e të dhënave që përdorej nga autoritetet britanike për të regjistruar një sërë informacionesh mbi personelin ushtarak gjatë operacioneve në Irak, përfshirë edhe të dhëna rreth të paraburgosurve, e njohur si baza e të dhënave AP3-Ryan.
18. Ekzaminimi i kësaj baze të të dhënave tregoi që nuk kishte shënime me emrin Tarek Resaan Hassan por kishte një shënim, me fotografi, për “Tarek Ressan Hashmyh Ali”. Në deklaratën e tij të dëshmitarit kërkuesi shpjegoi që për qëllime zyrtare irakianët përdorin emrin e tyre, të ndjekur nga emrat e babait, nënës, gjyshit dhe stërgjyshit. “Ali” ishte emri i stërgjyshit të kërkuesit dhe dukej se Hassan (emri i gjyshit të tij) ishte hequr gabimisht. Tarek Hassan-it iu lëshua një rrip dore ku ishte stampuar numri serik i internimit të tij UKDF018094IZSM; ku “DF” tregonte “ndërtesën ku mbahej”, “IZ” tregonte besnikëri ndaj Irakut dhe “SM” nënkuptonte “ushtar mashkull”. Pamje fotografike nga baza e të dhënave AP3-Ryan gjithashtu tregojnë që Tarek Hassan u pyet nëse do të jepte pëlqimin e tij që autoritetet kombëtare të informoheshin rreth paraburgimit të tij dhe që ai nuk e dha pëlqimin për këtë.
19. Pas procesit të regjistrimit të Mbretërisë së Bashkuar, të paraburgosurit transferoheshin tek forcat e Shteteve të Bashkuara për një regjistrim të dytë. Këtu përfshihej lëshimi i një numri të Shteteve të Bashkuara, i stampuar në një rrip dore. Numri i regjistrimit të Shteteve të Bashkuara për Tarek Hassan ishte UK912-107276EPW46. “UK” tregonte që shteti që e kishte kapur atë ishte Mbretëria e Bashkuar dhe “EPW” tregonte që ai ishte trajtuar nga forcat e Shteteve të Bashkuara si i burgosur lufte armik; megjithatë, në këtë fazë të gjithë të paraburgosurit klasifikoheshin si të burgosur lufte përveç atyre që kapeshin nga forcat britanike mbi bazën e dyshimeve për kryerjen e veprave penale. Pas regjistrimit, të paraburgosurit zakonisht kalonin një kontroll mjekësor, më pas u jepeshin çarçafë, ushqim dhe paketa sanitare dhe transferoheshin tek forcat e Shteteve të Bashkuara drejt zonave ku do të qëndronin.
20. Qeveria paraqiti një deklaratë dëshmitari nga Z. Timothy Lester, i cili ishte ngarkuar me detyrën e administrimit të Byrosë Informative të Mbretërisë së Bashkuar për të Burgosurit e Luftës (angl. UKPWIB) për Irakun që nga fillimi i operacioneve ushtarake atje në mars 2003. Ai deklaroi që UKPWIB vepronte në Irak si “Byroja Informative Kombëtare” e kërkuar nga neni 122 i Konventës së Tretë të Gjenevës dhe monitoronte të dhënat e të internuarve të burgosur të luftës dhe kriminelëve të paraburgosur në mënyrë që të lehtësonte kontaktet me të afërmit e tyre. Konventa e Tretë e Gjenevës gjithashtu kërkonte ngritjen e një “Agjencie Qendrore Informative për të Burgosurit e Luftës”. Ky rol u ndërmor nga Agjencia Qendrore e Gjurmimit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (angl. ICRC). ICRC mblidhte informacione rreth kapjes së individëve dhe, me pëlqimin e të burgosurve, ua përcillte ato vendit të origjinës së të burgosurit ose fuqisë nga e cila varej ai. Në praktikë, hollësitë e të gjithë të burgosurve të ndaluar nga forcat britanike regjistroheshin nga stafi në ndërtesën e paraburgimit në Irak dhe i dërgoheshin Z. Lester në Londër, i cili më pas i transferonte të dhënat në një tabelë dhe i postonte në faqen e sigurt të internetit të ICRC-së. Ai deklaroi që gjatë fazës së luftimeve aktive ai zakonisht ia kalonte të dhënat ICRC-së rregullisht, dhe më pas çdo muaj. Megjithatë, të dhënat e Tarek Hassanit nuk iu njoftuan ICRC-së deri më 25 korrik 2003 për shkak të një vonese të shkaktuar nga përditësimi i sistemit kompjuterik të UKPWIB-së. Sido që të jetë, në të dhënat e Tarek Hassanit u shënua që ai nuk kishte dhënë pëlqimin e tij që autoritetet irakiane të njoftoheshin për kapjen e tij (shih paragrafin 18 lart). Në mungesë të pëlqimit, Z. Lester konsideroi se nuk kishte gjasa që ICRC do t’i kishte informuar autoritetet irakiane dhe që ato autoritete do ta kishin informuar familjen Hassan.
D. Procesi i ekzaminimit
21. Sipas Qeverisë, kur statusi i një të burgosuri ishte i pasigurt në kohën e ardhjes së tij në Kamp Bucca, ai regjistrohej si i burgosur lufte nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar. Çdo i ndaluar, si Tarek Hassan, i cili kapej gjatë një operacioni të qëllimshëm dërgohej menjëherë në kompleksin e JFIT për një intervistë me dy faza. Sipas Qeverisë, në kompleksin e JFIT kishte ekipe të marrjes në pyetje të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara, dhe të dy ekipet merrnin në pyetje edhe të paraburgosurit e kapur nga Mbretëria e Bashkuar, edhe ata të kapur nga Shtetet e Bashkuara. Intervista e parë mund të merrej thjesht nga cilido ekip që ishte në dispozicion në kohën e ardhjes së të paraburgosurit. Qëllimi i procesit të intervistës ishte të identifikonte personelin ushtarak ose paraushtarak që mund të kishte informacione në lidhje me fushatat ushtarake dhe, kur konstatohej që i paraburgosuri ishte jo-luftëtar, nëse kishte bazë për të dyshuar që ai paraqiste rrezik kërcënimi apo nëse ishte kriminel. Nëse baza të tilla të arsyeshme nuk ekzistonin, individi klasifikohej si civil që nuk paraqiste rrezik për sigurinë dhe jepej urdhër që ai të lirohej menjëherë.
22. Një material i shtypur nga baza kompjuterike e të dhënave të JFIT tregoi që, në Kamp Bucca, Tarek Hassanit iu caktua JFIT nr. 494 dhe numri i regjistrimit UK107276. Shkuarja e tij atje u shënua si 23 prill 2003 në ora 16:40 dhe largimi i tij u shënua si 25 prill 2003 në ora 17:00, ku “destinacioni përfundimtar” i tij u shënua si “Regjistrimi (Civ Cage)”. Nën shënimin “Lirim/Mbajtje” u shënua shkronja “R”[1]. Nën titullin “TQ”[2], i cili nënkuptonte marrjen taktike në pyetje, ndodhej shënimi “231830ZAPR03‑Steve”, dhe nën titullin “Intg 1” qëndronte shënimi “250500ZAPR03”. Sipas Qeverisë, shënimi i parë i përmendur nënkuptonte që Tarek Hassan fillimisht i ishte nënshtruar marrjes taktike në pyetje më 23 prill 2003 në ora 18:30 Zulu (“Zulu” në këtë kontekst nënkuptonte Kohën e Koordinuar Universale, njëkohësisht e njohur si Ora Mesatare e Greenwich-it). Më 23 prill, ora 18:30 Zulu do të kishte qenë ora 21:30 në Irak. Shënimi i dytë tregonte që Tarek Hassan i është nënshtruar sërish marrjes në pyetje më 25 prill 2003 në ora 5:00 Zulu, ose ora 8:00 me orën lokale, dhe më pas është liruar në vendmbajtjen civile në Kamp Bucca në orën 20:00 me orën lokale më 25 prill 2003.
23. Qeveria i paraqiti Gjykatës një kopje të procesverbalit të një interviste mes Tarek Hassanit dhe agjentëve të Shteteve të Bashkuara, që daton 23 prill 2003, ora 18:30 Zulu, në të cilën thuhet si vijon:
“ABL [Armik i Burgosur Lufte] (angl. EPW, Enemy Prisoner of War) ka lindur në BASRA më 3 gusht 1981. Ai tani banon në shtëpinë e tij me babain, nënën, vëllain e madh (Emri: Qazm; i lindur në vitet ‘70), dhe me motrën e vogël (mosha; e pa hulumtuar). Shtëpia ndodhet përballë shkollës Khalissa në rajonin Jamiyat në N. BASRA. ABL e ka lënë shkollën e mesme të ulët, meqenëse u rekrutua për të luajtur futboll. Tani ai luan për Klubin e Futbollit të Basra-s dhe pozicioni i tij është sulmues. Skuadra e tij financohet nga qeveria dhe komiteti olimpik të cilët paguajnë shpenzimet e skuadrës. ABL nuk është në marrëdhënie pune meqenëse futbolli është jeta e tij dhe atij i paguhen të gjitha shpenzimet e tij të futbollit.
ABL e di që ai është marrë për shkak të vëllait të tij, Qazm. Qazm është një Othoo Sherba në partinë Ba’ath dhe ai ka ikur nga shtëpia para katër ditësh në drejtim të panjohur. Qazm i është bashkuar partisë Ba’ath në vitin 1990 dhe ka marrë pjesë në mbledhje të rregullta dhe në planifikimin e planit të emergjencës (nuk është hulumtuar më tej). Para luftës, partia Ba’th i dha Qazm-it një kamion. Kur forcat e koalicionit hynë në BASRA, Qazm ia dha kamionin një fqinji (emri i pa hulumtuar) për ta ruajtur dhe Qazm shkoi në një hotel në qendër të BASRA-s (emri i hotelit nuk dihet). Qazm bëri disa telefonata gjatë asaj kohe, por asnjëherë nuk e përmendi se ku ishte duke qëndruar. Doli një problem kur pronarët fillestarë të kamionit, kompania vendase e naftës, erdhën për të rimarrë automjetin që ia kishin huazuar partisë Ba’ath. Qazm i nervozua me këtë rrëmujë dhe u arratis pak kohë më pas.
ABL duket fëmijë i mbarë i cili me gjasë ka qenë aq i përfshirë në futboll saqë nuk e ka ndjekur aq shumë se nga shkon vëllai i tij. Por duket se familja e tyre është e lidhur ngusht dhe ABL mund të dijë më shumë rreth aktiviteteve të vëllait të tij në partinë Ba’ath, dhe disa nga miqtë e tij janë po ashtu të përfshirë në këtë parti. Përdorimi i çfarëdo lloj qasjeje të ashpër nuk do të ketë efekt. ABL e do shumë familjen e tij dhe futbollin. ABL do të bashkëpunojë, por ai ka nevojë për dikë tek i cili ka besim për t’i dhënë informacione rreth vëllait të tij, informacione të cilat mund ta dëmtojnë vëllain e tij. ABL duket se është tërësisht i pafajshëm, por ai mund të japë informacione në lidhje me të tjerët rreth tij.”
24. Qeveria paraqiti shënimet lidhur me marrjen e dytë në pyetje në formën e një Raporti të Marrjes Taktike në Pyetje. Ky dokument tregonte se ai ishte në lidhje me “PW 494” me “datën e informacionit” të shënuar si “250445ZAPR03”, që është 4.45 Zulu ose ora lokale 7:45 më 25 prill 2003. Raporti thoshte:
“1. ABL [Armiku i Burgosur Lufte] (angl. EPW [Enemy Prisoner of War]) është 22 vjeç, beqar jeton me babain e tij 80-vjeçar ( i cili është Sheik) dhe me nënën e tij në lagjen Jamiyet në BASRAH. Ai punon si mjeshtër i përgjithshëm dhe nuk e ka kryer shërbimin ushtarak për shkak të statusit të tij të studentit. Ai deklaroi që një AK-47 ndodhej në shtëpinë e tyre në kohën e arrestimit por atë e mbanin vetëm për mbrojtje personale. ABL dhe babai i tij nuk janë anëtarë të partisë Ba’ath.
2. ABL thotë që ai është arrestuar në shtëpinë e tij nga trupat e Shteteve të Bashkuara [sic] të cilët kërkonin vëllain e tij, Kathim. Vëllai i tij është anëtar i partisë Ba’ath, një Uthoo Shooba. Ai i është bashkuar partisë në vitin 1990 kur ishte student i juridikut në fakultetin e drejtësisë në Kolegjin Shaat Al Arab. Vëllai i tij është ende student, në vitin e fundit të studimeve, është i martuar por nuk ka fëmijë. Ai ka alternuar periudhat e studimeve me periudha pune si tregtar makinash. Vëllai i tij frikësohej për jetën e tij për shkak të frikës së hakmarrjes kundër anëtarëve të Partisë Ba’ath, kështu që kishte ikur mbase në SIRI ose në IRAN. Për herë të fundit ABL ka folur në telefon me vëllain e tij para 5 ditësh. Vëllai nuk e bëri të ditur vendndodhjen e tij.
KOMENT NGA JFIT: ABL duket se tregon të vërtetën dhe është arrestuar si rezultat i një gabimi në identitet. Ai nuk ka vlerë në aspektin e të dhënave të inteligjencës, dhe rekomandohet që ai të lëshohet që të kalojë në objektin e mbajtjes së civilëve. FUNDI I KOMENTIT NGA JFIT.”
E. Provat në lidhje me praninë e Tarek Hassanit në zonën e mbajtjes së civilëve në Kamp Bucca dhe lirimi i mundshëm i tij
25. Kërkuesi paraqiti një përmbledhje të një interviste të datuar 27 janar 2007 me Fouad Awdah Al-Saadoon, ish-kryetarin e Kryqit të Kuq Irakian në Basrah dhe mik i familjes së kërkuesit. Ai ishte arrestuar nga trupat britanike dhe ishte mbajtur në Kamp Bucca, në një tendë që mbante afro 400 të paraburgosur. Ai deklaroi që më 24 prill 2003 rreth orës 6 pasdite Tarek Hassan u soll në tendë. Z. Al-Saadoon deklaroi që Tarek Hassan dukej i trembur dhe konfuz, por nuk përmendi që Tarek Hassan ishte ankuar për keqtrajtim. Tarek Hassan nuk u mor në pyetje gjatë kohës që ishin bashkë në Kamp Bucca. Meqenëse Z. Al-Saadoon ishte keq nga shëndeti, Tarek Hassan i sillte atij ushqim dhe kujdesej për të. Z. Al-Saadoon u lirua më 27 prill 2003, me një grup prej 200 të burgosurish të moshës 55-vjeçare ose më të vjetër. Të burgosurit u liruan natën, në një autoudhë mes Al-Basrah dhe Al-Zubair, dhe u desh të ecnin 25 milje deri në vendin më të afërt ku mund të merrnin makina me qira. Pas lirimit të tij, ai e informoi familjen e kërkuesit që ai e kishte parë Tarek Hassan-in në Kamp Bucca. Sipas kërkuesit, ky ishte i vetmi informacion i marrë nga familja e tij në lidhje me vendndodhjen e vëllait të tij pas arrestimit të tij. Në përgjigje ndaj kësaj deklarate, Qeveria parashtroi se Z. Al-Saadoon mund të kishte gabuar për sa i përket datës, sepse nga shënimet e marrjes në pyetje dukej se Tarek Hassan ishte lëshuar për në objektin e mbajtjes së civilëve më 25 prill 2003. Ajo gjithashtu theksoi që ishin bërë përpjekje të rrepta për t’i kthyer individët në vendin e tyre të kapjes ose në një lokacion alternativ nëse kërkohej, dhe që 25 milje ishte distancë shumë më e madhe sesa distanca mes Al-Basrah dhe Al-Zubair.
26. Sipas deklaratës së dëshmitarit të paraqitur nga Qeveria, Major Neil Wilson, i cili komandonte një grup ushtarësh nga Shtabi i Lartë Ushtarak që këshillonte në lidhje me çështje të paraburgimit në kuadër të zonës operative të Mbretërisë së Bashkuar në Irak gjatë periudhës relevante, vendimi për të liruar të paraburgosurit e kapur nga Mbretëria e Bashkuar të mbajtur në Kamp Bucca, përveç atyre që përballeshin me akuza penale, ishte marrë nga një tribunal i mbledhur nga zyrtarët ligjorë ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar. Më pas të dhënat u ishin kaluar rojeve të Shteteve të Bashkuara, para se të liruarit të procesoheshin për t’u nxjerrë nga Kampi, pasi të dhënat e tyre ishin kontrolluar dhe ishin shënuar në bazën e të dhënave AP3-Ryan. Sipas urdhrave të Shtabit Ushtarak të Divizionit të Mbretërisë së Bashkuar në Basrah, të zbatueshme në atë kohë, forcat e Shteteve të Bashkuara ishin përgjegjëse për riatdhesimin e të gjithë të burgosurve në zonat brenda fushës së tyre të veprimit dhe forcat e Mbretërisë së Bashkuar ishin përgjegjëse për kthimin e të burgosurve në zonat brenda fushës së tyre të veprimit, pra Iraku juglindor, pavarësisht se cila forcë i kishte kapur të burgosurit. ICRC duhet të kishte qasje tek të gjithë ata që liroheshin. Përsëri, sipas urdhrave të zbatueshme, të burgosurit e riatdhesuar nga forcat britanike duhet të vendoseshin në autobusë me roje të armatosura në to dhe të shoqëruar me automjete ushtarake të armatosura para dhe pas. Lirimet duhet të kryheshin në pika të caktuara gjatë orëve të ditës, me ushqim dhe ujë të mjaftueshëm për individët e liruar deri sa të arrinin në shtëpi. Sipas dëshmisë së Majorit Wilson, bëheshin përpjekje për t’i rikthyer individët në pikën e kapjes. Kishte katër pika ku liheshin të liruarit brenda fushës së veprimit të Britanisë së Madhe, përfshirë “Al-Basrah GR TBC [referenca grid duhet të konfirmohet]”. Umm Qasr nuk ishte e renditur si pikë e lënies së të liruarve, por mund të shënohej si pikë lirimi në regjistrat e individëve që procesoheshin për lirim.
27. Qeveria gjithashtu paraqiti një urdhër ushtarak të datës 27 prill 2003 (FRAGO 001/03), qëllimi i të cilit ishte të sigurohej lirimi nga paraburgimi i maksimumit të mundshëm të civilëve dhe të burgosurve të luftës para pushimit të luftimeve (i cili u shpall më pas më 1 maj 2003). Në shtojcën e urdhrit përcaktoheshin procedurat që duhet të ndiqeshin. Disa individë do të vazhdonin të mbaheshin në paraburgim për arsye sigurie ose për shkak se dyshoheshin se ishin kriminelë; ata tashmë ishin identifikuar nga JFIT, ku vendimi ishte shënuar në bazën e të dhënave AP3-Ryan, dhe një listë që u ishte dhënë Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar që ata të mos liroheshin. Popullata që mbetej do të qëndronte brenda komplekseve individuale në pritje të lirimit të procesuar nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar. Në tendën e procesimit, do të zhvillohej një kontroll tre-pikësh për rripin e dorës së secilit të burgosur, ku profili i fytyrës dhe ai dixhital mbahej në AP3-Ryan. Më pas kërkohej futja e të dhënave në vijim në bazën e të dhënave: “(1) Elementi i Forcës Liruese; (2) Data e Lirimit; (3) Shteti Lirues; (4) Vendi i Caktuar i Lirimit.” Vetë teksti i urdhrit të lirimit u referohej katër pikave të lirimit (Al-Basrah, Najef, Al-Kut dhe An Nasariah; tre qytetet e fundit ndodheshin në veri të Al-Basrah), por shtojca e shënuar përveç Um Qasr (në jug të Al-Basrah dhe 2.5 kilometra larg Kampit) si pika ku liheshin të liruarit. Forcat e Mbretërisë së Bashkuar më pas mbanin kartën e identitetit të të burgosurit dhe ia kalonin atë autoriteteve të Shteteve të Bashkuara për procesim përfundimtar, përfshirë çështjen e ushqimit dhe ujit dhe kthimin e sendeve personale. Do të caktoheshin katër zona mbajtjeje, “një për secilin lokacion lirimi”, prej ku pastaj të burgosurit do të transportoheshin në pikat e dakorduara të riatdhesimit dhe do të liroheshin gjatë orëve të ditës. Urdhri gjithashtu kërkonte zhvillimin e një auditimi përfundimtar për të kontrolluar që të gjithë të burgosurit në listën e Mbretërisë së Bashkuar ose ishin liruar ose vazhdonin të mbaheshin. Nëse identifikohej që ndonjë person as nuk ishte liruar e as nuk vazhdonte të mbahej, atëherë duhet të formohej një bord hetimor për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur.
28. Më tej, Qeveria paraqiti një deklaratë dëshmitari datë 29 tetor 2007 nga Oficeri i Klasit të Dytë Patrick Madison (angl. Warrant Officer), i cili ishte përgjegjës për menaxhimin e bazës së të dhënave AP3-Ryan. Ai deklaroi që më 22 maj 2003 AP3-Ryan tregonte se forcat e Mbretërisë së Bashkuar kishin kapur dhe procesuar 3,738 të burgosur në Irak që nga fillimi i luftimeve dhe i kishin liruar të gjithë përveç 361 vetave. Në shtojcë të deklaratës së Oficerit Madison ndodheshin disa fletë të shtypura që tregonin shënime në bazën e të dhënave në lidhje me Tarek Hassan. Aty ndodhej një shënim që ishte bërë në AP3-Ryan më 4 maj 2003 në ora 1:45 pasdite që tregonte lirimin e “Tarek Resaan Hashmyh Ali” në ora 00:01 më 2 maj 2003. Autoriteti lirues tregohej se kishte qenë “Mbretëria e Bashkuar (ARMD) DIV SIG REGT”; vendi i lirimit përmendej të ishte “Um Qasr” dhe arsyet e lirimit shënoheshin si “Fundi i Luftimeve”. Një shënim i mëtejshëm ishte regjistruar në sistemin AP3-Ryan të Mbretërisë së Bashkuar më 12 maj 2003 në ora 10:13 të natës ku thuhej që: “BL[3] është gjetur se mungonte nga objekti i internimit pas përfundimit 100% të kontrollit. BL është liruar në AP3 më 12 maj 03”. Sipas Oficerit Madison, të dhënat e rreth 400 individëve përfshinin deklaratën “BL është liruar në AP3 më 12 maj 03”, kur në fakt ata ishin liruar më përpara dhe prandaj kishte gjasa që të dhënat e lirimit në kompjuterin e Kampit ishin përditësuar më 12 maj pas një kontrolli fizik. Sistemi kompjuterik i Shteteve të Bashkuara nuk kishte të regjistruar asnjë lirim deri më 17 maj 2003 por sidoqoftë, sipas Qeverisë, kjo mbase shpjegohej me një bashkërendim të bazës së të dhënave të Kampit Bucca të Shteteve të Bashkuara me një kontroll fizik të banorëve të Kampit nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara më 17 maj.
F. Gjetja e trupit të Tarek Hassanit
29. Sipas kërkuesit, Tarek Hassan nuk e kontaktoi familjen e tij gjatë periudhës pas lirimit të tij të supozuar. Më 1 shtator 2003 një prej kushërinjve të kërkuesit mori një thirrje telefonike nga një burrë i panjohur për ta, nga Samara, një qytet në veri të Bagdadit. Ky person i informoi që ishte gjetur një njeri i vdekur në fshatin afër, me një etiketë plastike identifikimi dhe një copë letër me numrin e telefonit të kushëririt të shkruar mbi të në xhepin e bluzës sportive që kishte të veshur. Sipas kërkuesit, Tarek Hassan kishte të veshur rroba sportive kur u kap nga forcat britanike. Kushëriri i kërkuesit e thirri këtë të fundit dhe, së bashku me një vëlla tjetër, kërkuesi shkoi në stacionin e mjekësisë ligjore të Spitalit të Përgjithshëm Tekrit në Samara. Aty ata panë trupin e Tarek Hassanit me tetë plagë plumbash nga një automatik AK-47 në gjoksin e tij. Sipas kërkuesit, duart e Tarek Hassanit ishin të lidhura me tel plastik. Etiketa identifikuese e gjetur në xhepin e tij ishte ajo që i ishte lëshuar nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara në Kamp Bucca. Autoritetet irakiane lëshuan një certifikatë vdekjeje më 2 shtator 2003, ku data e vdekjes jepej si 1 shtatori 2003, por pjesët e caktuara për shkaqet e vdekjes nuk ishin plotësuar. Një raport i policisë e identifikoi trupin si “Tariq Hassan” por nuk dha informata lidhur me shkaqet e vdekjes.
G. Korrespondenca me Avokatët e Thesarit dhe procedurat ligjore
30. Kërkuesi qëndroi i fshehur në Irak deri në tetor 2006, kur ai kaloi kufirin për në Siri. Në nëntor 2006, përmes një përfaqësuesi në Siri, ai kontaktoi avokatët në Mbretërinë e Bashkuar. Avokatët e kërkuesit i shkruan Avokatëve të Thesarit të Qeverisë më 21 dhjetor 2006 duke kërkuar shpjegime lidhur me arrestimin dhe paraburgimin e Tarek Hassanit dhe rrethanat që rezultuan në vdekjen e tij. U desh njëfarë kohe deri sa u identifikua vëllai i kërkuesit, sepse ai kishte hyrë në bazën e të dhënave të Kamp Bucca me emrin “Tarek Resaan Hashmyh Ali” (shih paragrafin 18 lart). Megjithatë, në një letër të datës 29 mars 2007 Avokatët e Thesarit deklaruan që një kontroll i bazës së të dhënave kompjuterike rreth të burgosurve të luftës të Mbretërisë së Bashkuar kishte nxjerrë shënime sipas të cilave Tarek Resaan Hashmyh Ali ishte mbajtur i paraburgosur në Kamp Bucca. Në një letër tjetër të datës 5 prill 2007 Avokatët e Thesarit deklaruan që ishin regjistruar të dhëna të mëtejshme kompjuterike të cilat “konfirmonin dorëzimin” e Tarek Hassanit nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar tek autoritetet e Shteteve të Bashkuara në Kamp Bucca dhe të cilat shënonin lirimin e tij më 12 maj 2003.
31. Kërkuesi filloi procedurat në Gjykatën e Lartë më 19 korrik 2007 duke kërkuar deklarime në lidhje me shkelje të të drejtave të vëllait të tij sipas neneve 2, 3 dhe 5 të Konventës, siç përcaktohet në Titullin 1 të Ligjit për të Drejtat e Njeriut të vitit 1998, kompensim financiar dhe një urdhër që i kërkonte Qeverisë hapjen e hetimeve të pavarura dhe publike rreth fatit të të vdekurit pas paraburgosjes së tij nga forcat britanike më 22 prill 2003. Pretendimi u dëgjua më 19 dhe 20 janar 2009 dhe u refuzua me një vendim të shpallur nga Walker J më 25 shkurt 2009 ([2009] EWHC 309 (Admin)). Gjyqtari u shpreh se, nën dritën e vendimit të Dhomës së Lordëve në çështjen Al-Skeini (shih më tej përmbledhjen e vendimit të Dhomës së Lordëve në Al-Skeini kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, §§ 83-88), nuk mund të thuhej se Tarek Hassan ishte brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sipas nenit 1 të Konventës në cilëndo periudhë kohore. Në Al-Skeini Dhoma e Lordëve kishte njohur një sërë përjashtimesh nga rregulla e përgjithshme që një Shtet nuk ushtronte juridiksion jashtëterritorial, por ato nuk përfshinin paraburgimin e një personi nëse ai nuk ndodhte brenda një burgu ushtarak ose brenda një objekti të krahasueshëm të kontrolluar nga Shteti Kontraktues. Analiza që gjyqtari i bëri MOA-s (shih paragrafin 16 lart) tregonte që Kamp Bucca ishte ngrehinë ushtarake e Shteteve të Bashkuara dhe jo e Mbretërisë së Bashkuar, për arsyet vijuese:
“... Është e qartë se fuqia burgosëse [Mbretëria e Bashkuar] heq dorë, deri në një kohë të atillë kur kërkohet kthimi i individit në fjalë, nga përgjegjësia për mbajtjen dhe mbrojtjen e të transferuarve. Llogaridhënia në atë aspekt është përgjegjësi e fuqisë pranuese [Shtetet e Bashkuara]. Për sa i përket gjykimeve në lidhje me kontaktin e individit pas transferimit tek fuqia pranuese, fuqia burgosëse ia lëshon juridiksionin fuqisë pranuese. Në tërësi kjo përbën një regjim ligjor në të cilin fuqia burgosëse nuk ka kontroll substancial mbi kushtet e përditshme të jetesës së individit në fjalë.”
32. Kërkuesi u këshillua që apeli nuk do të kishte perspektivë për sukses.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE NDËRKOMBËTARE DHE VENDASE
A. Dispozitat përkatëse të Konventës së Tretë dhe të Katërt të Gjenevës
33. Nenet e mëposhtme të Konventës së Tretë të Gjenevës të 12 gushtit 1949, Lidhur me Trajtimin e të Burgosurve të Luftës (“Konventa e Tretë e Gjenevës”) dhe Konventës së Katërt të Gjenevës të 12 gushtit 1949, Lidhur me Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte (“Konventa e Katërt e Gjenevës”), janë posaçërisht me rëndësi për çështjet e ngritura në rastin konkret.
Neni 2, i përbashkët për të katër Konventat e Gjenevës
Përveç dispozitave të cilat zbatohen në kohë paqeje, Konventa në fjalë zbatohet në të gjitha ato raste të luftës së deklaruar ose të çdo konflikti tjetër të armatosur që mund të lindë mes dy apo më shumë Palëve të Larta Kontraktuese, edhe në qoftë se njëra prej tyre nuk e njeh gjendjen e luftës.
Konventa gjithashtu zbatohet në të gjitha rastet e pushtimit të pjesshëm ose të plotë të territorit të një Pale të Lartë Kontraktuese, edhe në qoftë se pushtimi në fjalë nuk has në rezistencë të armatosur.
Megjithëse njëra prej Fuqive në konflikt mund të mos jetë palë në Konventën në fjalë, Fuqitë të cilat janë palë në të mbeten të detyruara sipas saj në marrëdhëniet e ndërsjella mes tyre. Më tej, ato janë të detyruara sipas Konventës në lidhje me Fuqinë në fjalë, në qoftë se kjo e fundit pranon dhe zbaton dispozitat e Konventës...
Neni 4(A) i Konventës së Tretë të Gjenevës
Të burgosurit e luftës, në kuptim të Konventës në fjalë, janë persona që i përkasin njërës prej kategorive të mëposhtme, të cilat kanë rënë nën pushtetin e armikut:
(1) Anëtarë të forcave të armatosura të një Pale në konflikt si dhe anëtarë të milicisë ose trupës vullnetare që bën pjesë në këto forca të armatosura.
(2) Anëtarë të milicive të tjera dhe anëtarë të trupave të tjera vullnetare, përfshirë ato të lëvizjeve të organizuara të rezistencës, që i përkasin një Pale në konflikt dhe që veprojnë brenda ose jashtë territorit të vet, edhe nëse ky territor është i pushtuar, në qoftë se këto milici apo trupa vullnetare, përfshirë lëvizje të tilla të rezistencës së organizuar, plotësojnë kushtet e mëposhtme:
(a) kushtin e të qenit të komanduara nga një person përgjegjës për vartësit e tij;
(b) kushtin e mbajtjes së një shenje të dallueshme që njihet nga larg;
(c) kushtin e të mbajturit të armëve haptas;
(d) kushtin e zhvillimit të operacioneve të tyre në përputhje me ligjet dhe zakonet e luftës.
(3) Anëtarët e forcave të rregullta të armatosura që deklarojnë besnikërinë e tyre ndaj një qeverie ose një autoriteti që nuk njihet nga Fuqia Burgosëse.
(4) Persona të cilët shoqërojnë forcat e armatosura pa qenë anëtarë të tyre, siç janë anëtarët civilë të ekuipazheve të avionëve ushtarakë, korrespondentët e luftës, kontraktorët për furnizime, anëtarët e unioneve të punëtorëve ose të shërbimeve përgjegjëse për mirëqenien e forcave të armatosura, nëse ata kanë marrë autorizim nga forcat e armatosura që shoqërojnë, të cilat u ofrojnë atyre për atë qëllim një kartë identiteti në ngjashme me modelin në shtojcë.
(5) Anëtarët e ekuipazheve, përfshirë mjeshtrit, pilotët dhe praktikantët, të marinës tregtare dhe ekuipazhet e avionëve civilë të Palëve në konflikt, të cilët nuk përfitojnë trajtim më të favorshëm sipas asnjë dispozite të së drejtës ndërkombëtare.
(6) Banorët e një territori jo të pushtuar, të cilët pas afrimit të armikut në mënyrë spontane marrin armët për t’u bërë rezistencë forcave pushtuese, pa pasur kohë të formojnë njësi të rregullta të armatosura, në qoftë se ata mbajnë armë haptas dhe respektojnë ligjet dhe zakonet e luftës.
Neni 5 i Konventës së Tretë të Gjenevës
(1) Konventa në fjalë u zbatohet të gjithë personave të përmendur në nenin 4 nga koha kur ata bien nën pushtetin e armikut e deri në lirimin dhe riatdhesimin e tyre përfundimtar.
(2) Në qoftë se ngrihen dyshime lidhur me faktin nëse personat, pas kryerjes së një veprimi ndërluftues dhe pas rënies në dorën e armikut, i përkasin cilësdo prej kategorive të cekura në nenin 4, këta persona gëzojnë mbrojtjen e Konventës në fjalë deri në një kohë të atillë kur statusi i tyre përcaktohet nga një tribunal kompetent.
Neni 12 i Konventës së Tretë të Gjenevës
Të burgosurit e luftës janë në duart e Fuqisë armike, por jo të individëve ose njësive ushtarake që i kanë kapur ata. Pavarësisht nga përgjegjësitë individuale që mund të ekzistojnë, Fuqia Burgosëse mban përgjegjësi për trajtimin që u bëhet atyre.
Të burgosurit e luftës mund të transferohen vetëm nga Fuqia Burgosëse tek një Fuqi e cila është palë në Konventë dhe pasi që Fuqia Burgosëse të jetë bindur për vullnetin dhe mundësinë e një Fuqie të tillë transferuese për të zbatuar Konventën. Kur të burgosurit e luftës transferohen në rrethana të tilla, përgjegjësia për zbatimin e Konventës qëndron tek Fuqia që i pranon ata gjatë kohës që ndodhen në mbajtje të saj.
Sidoqoftë, në qoftë se ajo Fuqi dështon në zbatimin e dispozitave të Konventës në ndonjë aspekt të rëndësishëm, Fuqia nga e cila janë transferuar të burgosurit e luftës, pas lajmërimit nga Fuqia Mbrojtëse, merr masa efektive për të korrigjuar situatën ose kërkon kthimin e të burgosurve të luftës. Kërkesa të tilla duhet të pranohen.
Neni 21 i Konventës së Tretë të Gjenevës
Fuqia Burgosëse mund t’i vendosë të burgosurit e luftës në internim. Ajo mund t’u caktojë atyre detyrimin për të mos u larguar, përtej kufijve të caktuar, nga kampi ku janë internuar, ose nëse kampi në fjalë është i rrethuar me gardh, për të mos dalë jashtë perimetrit të tij. Varësisht nga dispozitat e Konventës në lidhje me sanksionet penale dhe disiplinore, të burgosurit e luftës nuk mund të mbahen të izoluar përveç rasteve kur është e nevojshme të mbrohet shëndeti i tyre dhe më pas vetëm në vazhdimësi të rrethanave që e bëjnë të nevojshëm një izolim të tillë. ...
Neni 118 i Konventës së Tretë të Gjenevës
Të burgosurit e luftës duhet të lirohen dhe të riatdhesohen pa vonesë pas pushimit të armiqësive aktive. ...
Neni 42 i Konventës së Katërt të Gjenevës
Internimi ose vendosja në një vendqëndrim të caktuar e personave të mbrojtur mund të urdhërohet në qoftë se siguria e Fuqisë Burgosëse e bën absolutisht të nevojshme ...
Neni 43 i Konventës së Katërt të Gjenevës
Çdo person i mbrojtur i cili ka qenë i internuar ose i vendosur në një vendqëndrim të caktuar ka të drejtë që një veprim i tillë të rishqyrtohet sa më shpejt që të jetë e mundur nga një gjykatë e përshtatshme ose bord administrativ i caktuar nga Fuqia Burgosëse për atë qëllim. Në qoftë se internimi ose vendosja në vendqëndrim të caktuar vazhdohet, gjykata ose bordi administrativ, periodikisht ose të paktën dy herë në vit, merr në shqyrtim çështjen e tij ose të saj, me qëllim të ndryshimit të favorshëm të vendimit fillestar, nëse lejojnë rrethanat.
Neni 78 i Konventës së Katërt të Gjenevës
Në qoftë se Fuqia Pushtuese e konsideron të nevojshme, për arsye të domosdoshme sigurie, që të marrë masa sigurie në lidhje me personat e mbrojtur, ajo maksimumi mund t’u caktojë atyre vendqëndrim të caktuar ose internim.
Vendimet lidhur me vendqëndrim apo internim të tillë merre në përputhje me një procedurë të rregullt që përcaktohet nga Fuqia Pushtuese në pajtim me dispozitat e Konventës në fjalë. Kjo procedurë përfshin të drejtën e apelit për palët e interesuara. Apelet vendosen me sa më pak vonesë që të jetë e mundur. Në rast se vendimi mbështetet, ai i nënshtrohet rishikimit periodik, nëse është e mundur çdo gjashtë muaj, nga një organ kompetent i ngritur nga Fuqia e përmendur.
Personat e mbrojtur që i nënshtrohen vendqëndrimit të caktuar, dhe kështu u kërkohet të lëshojnë shtëpitë e tyre, gëzojnë përfitimet e plota të nenit 39 të Konventës.
Neni 133(1) i Konventës së Katërt të Gjenevës
Internimi do të pushojë sa më shpejt që të jetë e mundur pas përfundimit të armiqësive.
Neni 132(2) i Konventës së Katërt të Gjenevës
Secili person i internuar lirohet nga Fuqia Burgosëse sapo pushojnë së ekzistuari arsyet për të cilat ka lindur nevoja për internimin e tij.
B. Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, 1969, Neni 31
34. Neni 31 i Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve 1969 (“Konventa e Vjenës”) parashikon si vijon:
Neni 31, Rregulla e Përgjithshme e Interpretimit
1. Traktati duhet të interpretohet në mirëbesim në përputhje me kuptimin e zakonshëm që duhet t’u jepet kushteve të traktatit në kontekstin e tyre dhe nën dritën e objektit dhe qëllimit të tij.
2. Konteksti për qëllime të interpretimit të një traktati përmban, përveç tekstit, përfshirë preambulën dhe shtojcat e tij:
(a) Çdo marrëveshje në lidhje me traktatin e cila është bërë mes të gjitha palëve në lidhje me nënshkrimin e traktatit;
(b) Çdo instrument që është bërë nga një ose më shumë palë në lidhje me nënshkrimin e traktatit dhe është pranuar nga palët e tjera si instrument që ka të bëjë me traktatin.
3. Së bashku me kontekstin, do të merren parasysh:
(a) Çdo marrëveshje e mëtejshme mes palëve lidhur me interpretimin e traktatit ose zbatimin e dispozitave të tij;
(b) Çdo praktikë e mëtejshme në zbatimin e traktatit e cila përcakton marrëveshjen e palëve në lidhje me interpretimin e saj;
(c) Çdo rregullë relevante e të drejtës ndërkombëtare e zbatueshme në marrëdhëniet mes palëve.
4. Një termi do t’i jepet kuptim i veçantë në qoftë se konstatohet se ky ka qenë synimi i palëve.
C. Praktika gjyqësore e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ndër-marrëdhënien mes të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut
35. Në Opinionin e saj Këshillues mbi Ligjshmërinë e Kërcënimit ose Përdorimit të Armëve Bërthamore (8 korrik 1996), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi si vijon:
“25. Gjykata vëren që mbrojtja e Paktit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave Civile dhe Politike nuk pushon në kohë lufte, përveç se me anë të veprimit të nenit 4 të Paktit ku prej disa dispozitave mund të derogohet në kohë emergjencash kombëtare. Respekti për të drejtën e jetës, sidoqoftë, nuk është dispozitë e tillë. Në parim, e drejta për të mos u privuar arbitrarisht nga jeta zbatohet edhe në kushtet e armiqësive. Testi i privimit arbitrar të jetës, megjithatë, mbetet të përcaktohet nga lex specialis i zbatueshëm, pra e drejta e zbatueshme në konfliktin e armatosur e cila është hartuar për të rregulluar zhvillimin e armiqësive. Kështu, fakti nëse një humbje e caktuar jete, përmes përdorimit të një arme të caktuar gjatë luftimeve, duhet konsideruar privim arbitrar i jetës në kundërshtim me nenin 6 të Paktit, mund të konstatohet vetëm duke iu referuar të drejtës së zbatueshme në kushtet e konfliktit të armatosur dhe nuk mund të nxirret si konkluzion nga kushtet e vetë Paktit.”
36. Në Opinionin e saj Këshillues mbi Pasojat Ligjore të Ndërtimit të një Muri në Territorin e Pushtuar Palestinez (9 korrik 2004), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë refuzoi argumentin e Izraelit që instrumentet e të drejtave të njeriut në të cilat ai është palë nuk gjenin zbatim në territorin e pushtuar, dhe deklaroi:
“106. ... Gjykata konsideron që mbrojtja e ofruar nga konventat e të drejtave të njeriut nuk pushojnë në rastin e konfliktit të armatosur, përveç se me anë të efektit të dispozitave për derogim të këtij lloji që gjenden në nenin 4 të [Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike]. Për sa i përket marrëdhënies mes të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës së të drejtave të njeriut, ka tri situata të mundshme: disa të drejta mund të jenë ekskluzivisht çështje të së drejtës ndërkombëtare humanitare; të tjera mund të jenë ekskluzivisht çështje të së drejtës së të drejtave të njeriut; megjithatë, disa të drejta të tjera mund të jenë çështje të të dyja këtyre degëve të së drejtës ndërkombëtare. Për t’iu përgjigjur pyetjes së ngritur para saj, Gjykata duhet të marrë në shqyrtim të dyja këto degë të së drejtës ndërkombëtare, pra të drejtën e të drejtave të njeriut dhe, si lex specialis, të drejtën ndërkombëtare humanitare.”
37. Në gjykimin e saj Aktivitetet e Armatosura në Territorin e Kongos (Republika Demokratike e Kongos (angl. DRC) kundër Ugandës), (19 dhjetor 2005), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi si vijon:
“215. Gjykata, pasi konstatoi që sjellja e UPDF [angl. Uganda People’s Defence Force, shq. Forca Mbrojtëse e Popullit të Ugandës] dhe e oficerëve dhe ushtarëve të UPDF i atribuohet Ugandës, tani duhet të shqyrtojë nëse kjo sjellje përbën shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të Ugandës. Në këtë aspekt, Gjykata duhet të konstatojë rregullat dhe parimet e të drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare të cilat kanë rëndësi për këtë qëllim.
216. Gjykata fillimisht rikujton që ajo ka pasur rast t’i adresohet çështjeve të marrëdhënieve mes të të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të zbatueshmërisë së instrumenteve ligjore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut jashtë territorit kombëtar në Opinionin e saj Këshillues të 9 korrikut 2004 mbi Pasojat Ligjore të Ndërtimit të një Muri në Territorin e Pushtuar Palestinez. Në këtë Opinion Këshillues Gjykata gjeti që
‘mbrojtja e ofruar nga konventat e të drejtave të njeriut nuk pushon në rast konflikti të armatosur, përveç se me anë të efektit të dispozitave për derogim të tillë që gjenden në nenin 4 të Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Për sa i përket marrëdhënies mes të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës së të drejtave të njeriut, ka tri situata të mundshme: disa të drejta mund të jenë ekskluzivisht çështje të së drejtës ndërkombëtare humanitare; të tjera mund të jenë ekskluzivisht çështje të së drejtës së të drejtave të njeriut; megjithatë, disa të drejta të tjera mund të jenë çështje të të dyja këtyre degëve të së drejtës ndërkombëtare.’ (Raportet e I.C.J. 2004, fq. 178, paragrafi 106.)
Kështu ajo arriti në përfundimin që do të duhej të merreshin në shqyrtim të dyja degët e të drejtës ndërkombëtare, pra e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe e drejta ndërkombëtare humanitare. Më tej Gjykata konkludoi që instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut janë të zbatueshme ‘në lidhje me akte të kryera nga një Shtet gjatë ushtrimit të juridiksionit të tij jashtë territorit të vet’, posaçërisht në territoret e pushtuara (ibid., fq. 178-181, paragrafët 107-113).”
D. Raporti i Grupit Studimor të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi Fragmentimin e të Drejtës Ndërkombëtare
38. Raporti i Grupit Studimor të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi temën “Fragmentimi i të drejtës ndërkombëtare: vështirësitë që lindin nga diversifikimi dhe përhapja e të drejtës ndërkombëtare” u miratua nga Komisioni i të Drejtës Ndërkombëtare në sesionin e tij të pesëdhjetetetë, në vitin 2006. Studimi Analitik i Grupit Studimor mbi të njëjtën temë, i datës 13 prill 2006, (A/CN.4/L.682) deklaroi në § 104:
Shembulli i ligjeve të luftës fokusohet në rastet kur vetë rregulla identifikon kushtet në të cilat ajo duhet të zbatohet, pra praninë e një ‘konflikti të armatosur’. Për shkak të këtij kushti, rregulla duket më ‘e veçantë’ sesa sikur të mos të ishte identifikuar një kusht i tillë. Cilësimi i saj si situatë e lex specialis tërheq vëmendjen drejt një aspekti të rëndësishëm të veprimit të atij parimi. Edhe pse ndërkohë ai vepron për të arsyetuar shkuarjen deri tek përjashtimi, ajo që po lihet mënjanë nuk zhduket krejtësisht. [Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë] u tregua e kujdesshme kur theksoi që e drejta për të drejtat e njeriut ka vazhduar të zbatohej brenda konfliktit të armatosur. Përjashtimi - e drejta humanitare - kishte efekt vetëm mbi një aspekt (sado që të rëndësishëm) të saj, pra në vlerësimin relativ të “arbitraritetit”. E drejta humanitare si lex specialis nuk sugjeronte që të drejtat e njeriut shfuqizoheshin në luftë. Ajo nuk funksiononte në mënyrë formale apo absolute por si aspekt i pragmatikës së arsyetimit të Gjykatës. Sado e dëshirueshme që mund të ishte hedhja poshtë e dallimit mes paqes dhe konfliktit të armatosur, përjashtimi që lufta vazhdon të përbëjë karshi normalitetit të paqes nuk mund thjesht të anashkalohej gjatë përcaktimit se cilat standarde duhet të përdoreshin për të gjykuar sjelljen në ato rrethana (të jashtëzakonshme). Ligjshmëria e Armëve Bërthamore ishte një ‘çështje e vështirë’ përderisa [Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë] duhet të bënte një zgjedhje mes grupeve të ndryshme të rregullave ku asnjëra prej tyre nuk mund t’i shuante tërësisht të tjerat. Lex specialis nuk bënte aspak më shumë sesa të tregonte që, sado që mund të kishte qenë e dëshirueshme të zbatoheshin vetëm të drejtat e njeriut, një zgjidhje e tillë do të kishte qenë tepër idealiste, duke pasur parasysh specifikën dhe vazhdimësinë e konfliktit të armatosur. Kështu, Gjykata krijoi një pikëpamje sistematike të së drejtës në të cilën dy lloje të grup-rregullave ndërlidheshin me njëra-tjetrën si realiteti i të sotmes dhe premtimi i të nesërmes, në drejtim të nevojës qenësore për të siguruar ‘mbijetesën e një Shteti’.
E. Vendimi i Dhomës së Lordëve në Al-Jedda
39. Në vendimin e saj të 12 dhjetorit 2007 në çështjen Al-Jedda (R. (lidhur me zbatimin e Al-Jedda) (fc) (Paditësi) kundër Sekretarit të Shtetit për Çështje të Mbrojtjes (I Padituri) [2007 UKHL 58), shumica e Dhomës së Lordëve konsideroi që internimi i Z. Al-Jedda ishte autorizuar nga Rezoluta 1546 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më tej ata deklaruan që neni 103 i Kartës së Kombeve të Bashkuara vepronte për t’u dhënë detyrimeve të Mbretërisë së Bashkuar sipas asaj rezolute përparësi karshi detyrimeve të saj sipas nenit 5 të Konventës (shih më tej Al-Jedda kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 27021/08, §§ 18-22, ECHR 2011). Megjithatë, Lordi Bingham bëri të qartë që, pavarësisht nga ky konkluzion, neni 5 kishte njëfarë zbatimi të vazhdueshëm:
“39. Kështu, ekziston një përplasje mes, nga njëra anë, një pushteti ose detyre për të paraburgosur, i ushtrueshëm mbi bazën e autoritetit të deklaruar shprehimisht të Këshillit të Sigurimit, dhe, nga ana tjetër, një të drejte themelore të njeriut të cilën Mbretëria e Bashkuar kishte marrë përsipër ta garantonte për personat (si paditësi) brenda juridiksionit të saj. Si mund të vihen në pajtim këto të dyja? Sipas mendimit tim, ka vetëm një mënyrë në të cilën ato mund të pajtohen: duke vendosur që Mbretëria e Bashkuar mundet ligjërisht, aty ku është e nevojshme për arsye të domosdoshme sigurie, që të ushtrojë pushtet për paraburgosje i autorizuar nga Rezoluta 1546 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rezolutat vijuese, por duhet të sigurohet që të drejtat e të paraburgosurit sipas nenit 5 të mos shkelen në masë më të madhe sesa ç’kërkohet nga vetë natyra e një ndalimi të tillë.”
Në mënyrë të ngjashme, Baronesha Hale vërejti:
“125. ... Jam dakord me Lordin Bingham, për arsyet që jep ai, që e vetmja mënyrë është përmes miratimit të një kualifikimi të tillë të të drejtave të Konventës.
126. Megjithatë, unë nuk do të shkoja më larg se kaq. E drejta kualifikohet por nuk zhvendoset. Ky është një dallim i rëndësishëm, i eksploruar në mënyrë të pamjaftueshme në argumentet e llojit “ja të tëra, ja hiç fare” të cilat na janë paraqitur. Ne nuk mund të shkojmë më larg nga ç’na ka kërkuar OKB të shkojmë për rikthimin e paqes dhe sigurisë në një vend të trazuar. E drejta është e kualifikuar vetëm për aq sa kërkohet ose autorizohet nga rezoluta. Ajo që ngelet pas saj duhet mbajtur nën vëzhgim. Kjo mund të ketë pasoja substantive si dhe procedurale.
127. Nuk e kam të qartë se sa larg ka shkuar rezoluta 1546 e KS të OKB-së kur ka autorizuar [Forcën Shumëkombëshe] që të ‘marrë të gjitha masat e nevojshme për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Irak, në përputhje me shtojcat e kësaj rezolute ku shprehet, inter alia, kërkesa irakiane për prani të vazhduar të forcës shumëkombëshe dhe caktimi i qëllimeve të saj’ (paragrafi 10). ‘Gama e gjerë e detyrave’ u rendit nga Sekretari i Shtetit Powell si e tillë që përfshinte ‘operacione luftarake kundër anëtarëve të këtyre grupeve [që kërkonin të ndikonin në të ardhmen politike të Irakut përmes dhunës], internime aty ku një gjë e tillë ishte e nevojshme për arsye të domosdoshme sigurie, dhe kërkimet e vazhdueshme për dhe sigurimi i armëve që kërcënojnë sigurinë e Irakut’. Në të njëjtën kohë, Sekretari i Shtetit bëri të qartë zotimin e forcave që përbënin Forcën Shumëkombëshe për të ‘vepruar me konsekuencë brenda detyrimeve të tyre sipas ligjeve për konfliktet e armatosura, përfshirë Konventat e Gjenevës’.
128. Mbi çfarë baze thuhet që paraburgimi i këtij paditësi në veçanti është në përputhje me detyrimet tona sipas ligjeve për konfliktet e armatosura? Ai nuk është ‘person i mbrojtur’ sipas Konventës së Katërt të Gjenevës sepse ai është një prej qytetarëve tanë. As Mbretëria e Bashkuar nuk është më e përfshirë në pushtimin luftarak të asnjë pjese të Irakut. Pra duhet të shfrytëzohet një lloj pushteti analog post-konflikt, post-pushtim, për të internuar këdo aty ku një gjë e tillë mendohet të jetë ‘e nevojshme për arsye të domosdoshme sigurie’. Edhe nëse rezoluta e KS të OKB-së mund të lexohet në këtë mënyrë, nuk është menjëherë e qartë se përse është i nevojshëm paraburgimi i zgjatur i këtij personi në Irak, duke pasur parasysh që çfarëdo problemi që ai paraqiste në Irak mund të zgjidhej duke e riatdhesuar në vendin e tij që të trajtohej atje. Nëse largohemi pak nga rrethanat e veçanta të kësaj çështjeje, kjo është përgjigjja që kërkohet aq shpesh kur britanikët janë në telashe me ligjin në vende të huaja, dhe në këtë rast është në pushtetin e autoriteteve britanike që ta arrijnë atë.
129. Por kjo nuk është mënyra se si është zhvilluar argumentimi para nesh. Ndryshe përse do të flisnin me një frymë Lordi Bingham dhe Lordi Brown për ‘zhvendosjen ose skualifikimin’ kur është e qartë se këto nënkuptojnë gjëra shumë të ndryshme? Ne jemi marrë në nivel më abstrakt me atribuimin ose autorizimin nga Kombet e Bashkuara. I kemi kushtuar më pak vëmendje fushëveprimit të saktë të autorizimit. Duhet të kenë ende hapësirë për argumente rreth faktit se çka saktësisht mbulon rezoluta dhe nëse ajo është e zbatueshme ndaj fakteve të kësaj çështjeje. Se si bëhet kjo konkretisht mbetet të vendoset në procedurë tjetër. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, por njëkohësisht duke qenë dakord me Lordin Bingham, Lordin Carswell dhe Lordin Brown, unë do ta rrëzoja këtë apel.”
F. Derogimet lidhur me paraburgimin sipas nenit 15 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe nenit 4 të Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike
40. Duke lënë mënjanë disa deklarata të bëra nga Mbretëria e Bashkuar mes viteve 1954 dhe 1966 në lidhje me pushtetet e dhëna për të shuar kryengritjet në disa prej kolonive të saj, derogimet e bëra nga Shtetet Kontraktuese sipas nenit 15 të Konventës të gjitha i janë referuar emergjencave që dalin brenda territorit të Shtetit derogues.
41. Neni 4 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (angl. “ICCPR”) përmban një klauzolë derogimi të ngjashme me nenin 15 të Konventës. Sipas informacioneve në dispozicion të Gjykatës, që nga ratifikimi i ICCPR, 18 Shtete kanë bërë deklarata ku derogojnë nga detyrimet e tyre sipas nenit 9, i cili parashikon “të drejtën e lirisë dhe sigurisë së personit”. Prej këtyre, vetëm tri deklarata mund të interpretohen si të tilla që përfshijnë referenca, përmes autoriteteve të Shtetit derogues, ndaj një situate të konfliktit të armatosur ose agresioni ushtarak nga një Shtet tjetër. Shtetet të cilat i kanë depozituar këto derogime kanë qenë Nikaragua, mes viteve 1985 dhe 1988, ku deklarata i referohej “agresionit të padrejtë, të paligjshëm dhe të pamoralshëm të Shteteve të Bashkuara kundër popullit të Nikaraguas dhe qeverisë së tij revolucionare”; Azerbajxhani, mes prillit dhe shtatorit të vitit 1993, ku deklarata i referohej “agresionit të përshkallëzuar nga forcat e armatosura të Armenisë”; dhe Izraeli, ku deklarata e bërë më 3 tetor 1991, dhe e cila është ende e zbatueshme, thotë si vijon:
“Që nga krijimi i tij, Shteti i Izraelit ka qenë viktimë e kërcënimeve dhe sulmeve të vazhdueshme kundër vetë ekzistencës së tij si dhe jetës dhe pasurisë së qytetarëve të tij.
Këto kanë marrë formën e kërcënimeve të luftës, të sulmeve të armatosura faktike, dhe fushatave të terrorizmit që kanë rezultuar në vrasjen dhe lëndimin e qenieve njerëzore.
Duke pasur parasysh të lartcekurat, Gjendja e Jashtëzakonshme e cila u shpall në maj 1948 ka mbetur në fuqi që nga ajo kohë. Kjo situatë përbën një emergjencë publike brenda kuptimit të nenit 4(1) të Paktit.
Prandaj, Qeveria e Izraelit e ka parë të nevojshme, në përputhje me nenin 4 në fjalë, që të marrë masa deri në shkallën rreptësisht të kërkuar nga urgjencat e situatës, për mbrojtjen e Shtetit dhe për mbrojtjen e jetës dhe pasurisë, përfshirë ushtrimin e pushteteve për arrestime dhe paraburgosje.
Për sa kohë që këto masa janë në pajtim me nenin 9 të Paktit, Izraeli kështu derogon nga detyrimet e tij sipas asaj dispozite.”
Asnjëri prej Shteteve nuk e ka cekur shprehimisht pikëpamjen që derogimi ka qenë i nevojshëm për të paraburgosur personat sipas Konventës së Tretë dhe Konventës së Katërt të Gjenevës.
42. Për sa i përket praktikës së Shtetit, në librin e saj, “I Kapur në Luftë: Internimi i Ligjshëm në Konfliktin e Armatosur” (Hart Publishing, Botimet A. Pedone, Paris dhe Oksford 2013), Els Debuf i referohej një studimi që ajo kishte ndërmarrë në lidhje me derogimet e dërguara drejt autoriteteve të përfshira për Konventën dhe ICCPR, ashtu siç paraqiten në bazat e të dhënave të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës (verifikuar së fundi më 1 tetor 2010). Ajo vërejti si vijon:
“Hulumtimet tona në këto baza të të dhënave – të fokusuara mbi konfliktet e armatosura dhe pushtimet në të cilat kanë qenë të përfshira Shtetet palë në ICCPR dhe KEDNJ që nga data e ratifikimit të tyre – na kanë ofruar këto informacione ... . As Afganistani e as Bashkimi Sovjetik nuk kanë deroguar nga ICCPR gjatë konfliktit që i vuri kundër njëri-tjetrit këto dy Shtete nga viti 1979 deri në vitin 1989. Po kështu, as Afganistani, Australia, Kanadaja, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Zelanda e Re, Mbretëria e Bashkuar apo SHBA nuk kanë deroguar nga e drejta për liri sipas ICCPR ose KEDNJ për sa i përket fazës ndërkombëtare të konfliktit të fundit në Afganistan (2001-2002); e njëjta gjë vlen edhe për konfliktin që kundër Irakut vuri SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtete të tjera nga viti 2003 deri në vitin 2004. Shtetet në vijim gjithashtu kanë internuar persona mbi bazën e Konventës së Tretë dhe Konventës së Katërt të Gjenevës pa deroguar nga e drejta për liri në ICCPR ose në KEDNJ; Mbretëria e Bashkuar dhe Argjentina në konfliktin lidhur me ishujt Falkland/Malvine në vitin 1982; SHBA gjatë operacioneve të saj ushtarake në Grenada në vitin 1983; India dhe Bangladeshi në konfliktet me Pakistanin në vitet ‘70 (Pakistani nuk është palë në ICCPR); Irani dhe Iraku gjatë luftës së viteve 1980-1988; Izraeli dhe Shtetet Arabe në të gjitha konfliktet ndërkombëtare të armatosura që i kanë vënë ata kundër njëri-tjetrit në Lindjen e Mesme (1948 deri më sot) [por shënohet derogimi i depozituar nga Izraeli, i përmendur në paragrafin 40 lart]; Shtetet palë në KEDNJ të cilat kanë marrë pjesë nën ombrellën e OKB-së në Luftën Koreane nga viti 1950 në vitin 1953; Iraku, Kuvajti, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar gjatë Luftës së Gjirit të vitit 1991 (Arabia Saudite, e cila internoi shumë të burgosur lufte gjatë atij konflikti, nuk është palë në ICCPR); Angola, Burundi, Republika Demokratike e Kongos (angl. DRC), Namibia, Ruanda, Uganda dhe Zimbabve në DRC (1998-2003); Etiopia në konfliktin që e vuri kundër Eritreas nga viti 1998 në vitin 2000 (Eritrea nuk e kishte ratifikuar ende ICCPR-në në atë kohë); Eritrea dhe Xhibuti në konfliktin e shkurtër kufitar në vitin 2008; Gjeorgjia dhe Rusia në luftën e shkurtër të gushtit 2008; Rusia nuk derogoi nga ICCPR gjatë konfliktit me Moldavinë rreth Transdniestrias në vitin 1992 (Rusia nuk ishte ende palë në KEDNJ dhe Moldavia nuk ishte ende palë as në ICCPR e as në KEDNJ në atë kohë). As Qipro e as Turqia nuk deroguan nga ICCPR apo KEDNJ për internime mbi bazën e Konventës së Tretë dhe Konventës së Katërt të Gjenevës (GC III-IV) në Qipron e Veriut (shënohet që Turqia nuk konsideronte që ICCPR ose KEDNJ ishin të zbatueshme në kontekst jashtëterritorial); Turqia derogoi nga KEDNJ për sa u përkiste personave brenda tokës turke, por meqenëse nuk i saktësoi nenet prej të cilave synonte të derogonte, është e paqartë nëse ajo e pa të nevojshme të vepronte kështu në mënyrë që të internonte persona mbi bazën e GC III dhe IV. Në mënyrë të ngjashme, Azerbajxhani derogoi nga ICCPR (ai nuk ishte ende palë në KEDNJ në atë kohë) për të marrë masa të cilat ishin të nevojshme si rezultat i konfliktit me Armeninë (1988-1994), por është e paqartë nëse ajo veproi kështu për të internuar persona mbi bazën e Konventave të Gjenevës; Armenia nuk derogoi nga ICCPR (ajo nuk ishte ende palë në KEDNJ në atë kohë). Po kështu, Nikaragua derogoi nga neni 9 i ICCPR, duke thënë se ishte e detyruar të vepronte kështu pas përfshirjes së SHBA-ve në konfliktin me Contras në vitet ‘80. Është e paqartë nëse Nikaragua e pa të nevojshme të derogonte nga ICCPR për të internuar mbi bazën e Konventave të Gjenevës; në letrat e derogimit ajo nguli këmbë që nga neni 9§1 derogoi vetëm për veprat penale kundër sigurisë kombëtare dhe rendit publik.”
E DREJTA
I. VLERËSIMI I PROVAVE DHE KONSTATIMI I FAKTEVE NGA GJYKATA
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
43. Kërkuesi argumentoi që provat nga motrat e tij, shoku dhe fqinji tregonin se vëllai i tij ishte kapur dhe paraburgosur nga forcat britanike me qëllim që ta nxisnin kërkuesin të dorëzohej vetë. Referenca e parë që bëri Qeveria ndaj të dhënave të batalionit, të cilat i referoheshin arrestimit të Tarek Hassanit (shih paragrafin 11 lart), ndodhej në vëzhgimet e saj para Dhomës së Madhe në shtator 2013. Nuk ishin dhënë shpjegime të qëndrueshme për daljen në pah kohët e fundit të këtij materiali, çka ishte e habitshme duke pasur parasysh theksin që Qeveria i vinte këtij dokumenti. Kërkuesi nuk bëri ndonjë pohim në lidhje me faktin nëse ai e pranonte këtë si të vërtetë. Ai nënvizoi, gjithashtu, që ky ishte dokumenti i vetëm që i referohej gjetjes së Tarek Hassanit në posedim të një automatiku AK-47 dhe i pozicionuar në çati. Asnjë prej të dhënave të intervistave të tij (shih paragrafët 23-24 lart) nuk i referohej mbajtjes së tij në paraburgim si luftëtar i dyshuar apo si i tillë që paraqiste ndonjë kërcënim, real apo të dyshuar, për forcat britanike në atë kohë.
44. Kërkuesi më tej diskutoi që të dhënat kompjuterike për paraburgimet në Kamp Bucca shënonin tri data të ndryshme lirimi, ku asnjëra prej tyre nuk dukej e besueshme (shih paragrafin 28 lart). Ngjashëm, vendi i lirimit ishte çështje spekulimi bazuar mbi prova të paqarta dhe të paqëndrueshme (shih paragrafët 27-28 lart). As nuk mund të thuhej me siguri që Tarek Hassan nuk ndodhej ende në paraburgim pas kontrollit në Kamp Bucca më 12 maj 2003, sidomos duke pasur parasysh datën e lirimit të shënuar në të dhënat e Shteteve të Bashkuara. Kërkuesi vuri në pah se vëllai i tij ishte gjetur i vdekur me etiketën e identifikimit të Shteteve të Bashkuara ende në trupin e tij (shih paragrafin 29 lart) dhe që ai nuk e kishte kontaktuar familjen e tij në asnjë moment që kur ishte kapur nga forcat e Mbretërisë së Bashkuar, çka sugjeron fuqimisht se ai nuk e kishte pasur mundësinë që ta bënte këtë.
2. Qeveria
45. Qeveria parashtroi se kërkuesi nuk kishte konstatuar një arsyetim të përshtatshëm për vonesën në ngritjen e ankesave të tij para autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar. Vonesa kishte krijuar një pengesë të paevitueshme në hetimet efektive rreth vdekjes së Tarek Hassanit. Nuk mund të nxirren kuptime të pafavorshme nga paaftësia e Qeverisë për të ofruar shpjegime për vdekjen e Tarek Hassanit në rrethana ku provat jepnin një shpjegim të kënaqshëm dhe bindës të arrestimit, burgosjes dhe lirimit të tij.
46. Qeveria e mohoi pretendimin që paraburgimi i Tarek Hassanit kishte qenë mjet për t’i bërë presion kërkuesit për t’u dorëzuar. Ajo diskutoi që prova e paraqitur nga kërkuesi në mbështetje të pretendimit të tij ishte e pasaktë e thashetheme dhe që një qëllim i tillë nga ana e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar do të kishte qenë në papajtueshmëri me lirimin e mëpasëm të Tarek Hassanit nga Kamp Bucca sapo statusi i tij të ishte përcaktuar si civil që nuk përbënte kërcënim për sigurinë. Përkundrazi, ajo pohoi se ishte e arsyeshme që forcat britanike të dyshonin që Tarek Hassan ishte luftëtar, meqenëse ai ishte gjetur, i armatosur, mbi çatinë e shtëpisë së një gjenerali të Ushtrisë Al-Quds, shtëpi e cila përmbante armë të tjera zjarri dhe disa dokumente me vlerë për inteligjencën në lidhje me anëtarët vendas të Partisë Ba’ath (shih paragrafin 11 lart). Qeveria më tej vuri në dukje që, përveç dëshmisë së kërkuesit, nuk kishte prova të pavarura rreth shkakut të vdekjes sepse ky informacion nuk ishte shënuar në certifikatën e vdekjes (shih paragrafin 29 lart). Sidoqoftë, ajo theksoi se Samara ishte rreth 700 kilometra larg nga Kamp Bucca, në një zonë e cila nuk ishte pushtuar asnjëherë nga forcat britanike, dhe që automatiku AK-47 nuk ishte armë që përdorej nga forcat britanike.
B. Vlerësimi i fakteve nga Gjykata
47. Në fillim, Gjykata kujton se procedurat vendase u rrëzuan mbi bazën e faktit që vëllai i kërkuesit nuk hynte brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar në kohën materiale (shih paragrafin 31 lart). Prandaj nuk ishte e nevojshme që gjykatat vendase të konstatonin faktet me hollësi. Gjykata është përgjithësisht e ndjeshme ndaj natyrës ndihmëse të rolit të saj dhe e kujdesshme në marrjen e rolit të një tribunali të faktit (shih McKerr kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.) 28883/95, 4 prill 2000). Megjithatë, në rrethanat aktuale është e pashmangshme që ajo duhet të bëjë vetë disa gjetje fakti mbi bazën e provave që ka përpara.
48. Në rastet kur ka tregime kundërthënëse të ngjarjeve, Gjykata në mënyrë të paevitueshme përballet me konstatimin e fakteve me të njëjtat vështirësi si ato me të vilat përballet çdo gjykatë e shkallës së parë. Ajo përsërit që, gjatë vlerësimit të provave, ajo i përmbahet standardit të provave “përtej dyshimit të arsyeshëm”. Megjithatë, qëllimi i saj asnjëherë nuk ka qenë të huazojë qasjet e sistemeve ligjore kombëtare që e përdorin atë standard. Roli i saj nuk është të vendosë në lidhje me fajësinë penale apo përgjegjshmërinë civile por në lidhje me përgjegjësinë e Shteteve Kontraktuese sipas Konventës. Specifika e detyrës së saj sipas nenit 19 të Konventës – për të garantuar respektimin nga Shtetet Kontraktuese të angazhimit të tyre për të siguruar të drejtat themelore të ngërthyera në Konventë – e kushtëzon qasjen e Gjykatës për sa u përket çështjeve të të dhënave dhe provave. Në procedurat para saj, nuk ka barriera procedurale ndaj pranueshmërisë së provave apo formula të paracaktuara për vlerësimin e tyre. Ajo nxjerr përfundime të cilat janë, sipas mendimit të saj, të mbështetura nga vlerësimi i lirë i të gjitha provave të paraqitura, përfshirë edhe nënkuptime që mund të dalin nga faktet dhe parashtrimet e palëve. Sipas praktikës së saj gjyqësore të vendosur, provat mund të dalin nga bashkekzistenca e nënkuptimeve mjaftueshëm të forta, të qarta dhe të përputhshme ose të prezumimeve ngjashëm të pakontestueshme të faktit. Për më tepër, niveli i bindjes që është i nevojshëm për të arritur një përfundim të caktuar dhe, në këtë pikë, shpërndarja e barrës së provës, janë pazgjidhshmërisht të lidhura me specifikën e fakteve, natyrën e akuzave të ngritura dhe me të drejtat e Konventës për të cilat bëhet fjalë. Gjykata gjithashtu është e vëmendshme ndaj seriozitetit që i kushton një vendimi që një Shtet Kontraktues ka shkelur të drejtat themelore (shih El Masri kundër “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë” [GC], nr. 39630/09, § 151, ECHR 2012).
49. Më tej, duhet rikujtuar që procedurat e Konventës jo gjithmonë i lihen zbatimit të rreptë të parimit affirmanti incumbit probatio (parimi që barra e provës qëndron mbi supet e personit që ngre akuzën në fjalë). Gjykata përsërit praktikën e saj gjyqësore nga nenet 2 dhe 3 të Konventës sipas të cilëve aty ku ngjarjet në fjalë janë të njohura ekskluzivisht vetëm për autoritetet, siç është rasti i personave nën kontrollin e tyre në paraburgim, ngrihen prezumime të forta fakti për sa u përket lëndimeve dhe vdekjes që ndodhin gjatë atij paraburgimi. Barra e provës në këtë rast mund të shihet si e tillë që bie mbi autoritetet të cilat duhet të japin shpjegime të kënaqshme dhe bindëse. Në mungesë të një shpjegimi të tillë Gjykata mund të nxjerrë konstatime të nënkuptuara të cilat mund të jenë të pafavorshme për Qeverinë përgjegjëse. Gjykata tashmë ka gjetur që këto konsiderata u zbatohen zhdukjeve të shqyrtuara sipas nenit 5 të Konventës, ku, megjithëse nuk është vërtetuar që një person është marrë në paraburgim nga autoritetet, është e mundur të konstatohet që ai ose ajo është thirrur zyrtarisht nga autoritetet, ka hyrë në ambiente të caktuara nën kontrollin e tyre dhe nuk është parë më nga ajo kohë. Në këto rrethana, është Qeveria ajo mbi të cilën bie barra e dhënies së një shpjegimi të mundshëm dhe të kënaqshëm lidhur me atë që ka ndodhur në ato ambiente dhe për të treguar që personi në fjalë nuk është paraburgosur nga autoritetet, por është lënë në ato ambiente pa u privuar nga liria e tij apo e saj. Më tej, Gjykata përsërit që, sërish në kontekstin e ankesës nga neni 5 § 1 i Konventës, ajo ka kërkuar prova në formën e nënkuptimeve të përputhshme para se barra e provës të kalojë tek Qeveria përgjegjëse (shih El Masri, cituar lart, §§ 152-153).
50. Në rastin konkret nuk kontestohet që vëllai i kërkuesit është kapur nga forcat e Mbretërisë së Bashkuar më 23 prill 2003, është paraburgosur më pas në Kamp Bucca dhe që ai ka vdekur pak kohë para se trupi i tij të gjendej në Samara më 1 shtator 2003. Mospajtimi lidhur me faktet përqendrohet tek dy çështje: së pari, nëse Tarek Hassan është arrestuar dhe paraburgosur si mjet për të ushtruar presion mbi kërkuesin për t’u dorëzuar vetë dhe, së dyti, në çfarë rrethanash është larguar Tarek Hassan nga Kamp Bucca. Përveç kësaj, meqenëse kërkuesi pretendon se trupi i Tarek Hassanit kishte shenja keqtrajtimi, ngrihet pyetja nëse ai është keqtrajtuar gjatë kohës që ka qenë në paraburgim.
51. Për sa i përket pikës së parë, Gjykata vëren se e vetmja provë që ajo ka përpara e cila mbështet pretendimin që Tarek Hassan është marrë në paraburgim në përpjekje për ta detyruar kërkuesin të dorëzohej përbëhet nga dy deklaratat e dhëna nga kërkuesi dhe shënimi i një interviste telefonike me fqinjin e kërkuesit, të dyja të përgatitura për qëllime të procedurave vendase (shih paragrafët 12-13 lart). Në deklaratën e tij të parë kërkuesi pretendoi që motrave të tij u ishte thënë nga autoriteti ushtarak britanik që Tarek Hassan nuk do të lirohej deri sa kërkuesi të dorëzohej. Në deklaratën e dytë kërkuesi pretendoi që ky informacion i ishte dhënë fqinjit të tij dhe shokut të tij. Në asnjërën prej deklaratave të kërkuesit, as në atë të fqinjit të tij, Z. Al-Ubody, nuk identifikohet, as me emër e as me gradë, përfaqësuesi i ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar që e ka bërë këtë pohim. Duke pasur parasysh mungesën e saktësisë, natyra prej thashethemesh e këtyre provave dhe mospërputhjet e brendshme të deklaratave të kërkuesit, Gjykata nuk gjen prova të forta në mbështetje të pretendimit të kërkuesit.
52. Nga ana e saj, Qeveria nuk ka mundur të paraqesë para Gjykatës ndonjë provë nga dëshmitarët lidhur kapjen e Tarek Hassanit. Megjithatë, ajo i ka paraqitur Gjykatës regjistrin operativ të Batalionit të Kontrollit të Zi (angl. Black Watch Battalion) i cili ishte krijuar njëkohësisht me ngjarjet në fjalë (shih paragrafin 11 lart). Aty shënohet që, kur forcat britanike kanë ardhur në shtëpi, Tarek Hassan ka qenë i pozicionuar në çati, i armatosur me automatik AK-47 dhe që armët e tjera të zjarrit dhe dokumentet me vlerë për inteligjencën janë gjetur në shtëpi. Përveç kësaj, Qeveria paraqiti shënime lidhur me intervistat në Kamp Bucca me Tarek Hassanin dhe fotografime të shënimeve lidhur me të në bazën e të dhënave AP3-Ryan (shih, respektivisht, paragrafët 23-24 dhe 18, 22 dhe 28 lart). Gjykata nuk ka baza mbi të cilat të vërë në dyshim origjinalitetin e këtyre të dhënave. Ato tregojnë që Tarek Hassan është regjistruar në Kamp Bucca më 23 prill 2003, është marrë në kompleksin e JFIT në ora 16:40 më 23 prill 2003 dhe është vendosur në zonën e mbajtjes së civilëve në Kamp Bucca më 25 prill 2003 në ora 8 të mbrëmjes me orën lokale. Të dhënat kompjuterike më tej tregojnë se ai është marrë në pyetje një herë më 23 prill 2003 në ora 21:30 me orën lokale dhe pastaj sërish më 25 prill në ora 8 të mëngjesit me orën lokale. Procesverbalet e të dy intervistave i janë paraqitur Gjykatës. Ato tregojnë që identiteti i Tarek Hassanit si vëllai i kërkuesit ishte i ditur dhe që gjatë marrjes në pyetje ishte konstatuar se ai nuk ishte personalisht i përfshirë me Partinë Ba’ath ose me Ushtrinë Al-Quds.
53. Sipas mendimit të Gjykatës, të dhënat e kapjes dhe marrjes në pyetje përputhen me parashtrimin e Qeverisë që Tarek Hassan është kapur si luftëtar i dyshuar ose civil që përbënte kërcënim për sigurinë. Kjo pikëpamje mbështetet nga prova të tjera të cilat kanë tendencë të tregojnë se Tarek Hassan edhe mund të ketë qenë i armatosur me, ose të paktën në posedim të, një automatiku AK-47 në momentin e kapjes së tij, pra pohimi i kërkuesit që vëllai i tij i vogël ishte lënë të mbronte shtëpinë e familjes (shih paragrafin 10 lart) dhe shpjegimi i raportuar i Tarek Hassanit, gjatë marrjes së tij në pyetje nga agjentët britanikë, lidhur me praninë e armës si mbrojtje personale (shih paragrafin 24 lart). Më tej të dhënat e Kampit Bucca tregojnë që ai ishte gati të lirohej sapo të konstatohej që ai ishte civil që nuk përbënte kërcënim për sigurinë.
54. Gjykata e pranon që kapja e Tarek Hassanit ishte e lidhur me lidhjen e tij me vëllain e tij, por vetëm për aq sa forcat britanike, pasi e kishin marrë vesh për këtë lidhje nga vetë Tarek Hassan dhe e kishin gjetur Tarek Hassanin të armatosur në momentin e kapjes (shih paragrafin 11 lart), mund të kenë dyshuar që edhe ai ishte i përfshirë me Partinë Ba’ath dhe me Ushtrinë Al-Quds. Gjykata nuk gjen që provat mbështesin pretendimin që Tarek Hassan është marrë në paraburgim për t’u mbajtur deri në momentin kur kërkuesi do të dorëzohej. Sikur ai të kishte qenë qëllimi i forcave të Mbretërisë së Bashkuar, ai nuk do të ishte bërë gati për lirim menjëherë pas intervistës së dytë dhe më pak se 38 orë pas pranimit të tij në Kamp Bucca (shih paragrafin 22 lart).
55. Për sa i përket datës dhe vendit të lirimit të Tarek Hassanit, provat kryesore janë shënimet nga AP3-Ryan (shih paragrafin 28 lart). Një shënim i bërë më 4 maj 2003 tregonte që Tarek Hassan ishte liruar më 2 maj 2003, me autobus, në Um Qasr, mbi bazën e “Fundit të Armiqësive”. Një shënim tjetër më 12 maj 2003 gjente që Tarek Hassan nuk ishte i pranishëm në Kamp pasi ishte bërë një kontroll i plotë i të paraburgosurve. Gjykata konsideron, mbi bazën e këtyre shënimeve, të marra së bashku me vendimin e marrë pas intervistës së dytë për të mos vazhduar mbajtjen e Tarek Hassanit, që ai sipas të gjitha gjasave ishte liruar në maj 2003. Kjo pikëpamje mbështetet më tej nga provat e ofruara nga Qeveria në lidhje me vendimin e politikës të marrë nga forcat e Mbretërisë së Bashkuar për të liruar të gjithë të paraburgosurit para ose menjëherë pas përfundimit të armiqësive i shpallur më 1 maj 2003, përveç atyre që dyshoheshin për vepra penale ose për aktivitete që përbënin rrezik për sigurinë (shih paragrafin 27 lart). Për sa i përket vendit të lirimit, Gjykata shënon që Kampi Bucca ndodhej vetëm 2.5 kilometra larg prej Umm Qasr. Megjithëse teksti kryesor i urdhrit ushtarak përkatës lidhur me lirimin e të paraburgosurve nga Kamp Bucca nuk rendiste Umm Qasr si pikë e lënies së të liruarve (por rendiste vetëm katër qytete në veri të Kampit), shtojca e urdhrit e përshkruante Umm Qasr si zonë lirimi. Është e mundur që të ketë siguri në mungesë të provave më konkluzive, por duke pasur parasysh afërsinë e qytetit me Kampin, përmendjen e tij në shtojcë, politikën e Mbretërisë së Bashkuar për lirimin e të paraburgosurve pas përfundimit të armiqësive dhe shënimet kompjuterike në lidhje me lirimin e Tarek Hassanit, Gjykata gjen se është e mundur që Tarek Hassan është liruar në ose afër Umm Qasr më 2 maj 2003.
56. Gjykata është e mendimit që, në këtë rast, meqenëse në provat lidhur me paraburgimin dhe lirimin e Tarek Hassanit kishte qasje, në masën më të madhe, vetëm Qeveria, i takon asaj barra e vërtetimit të një shpjegimi të besueshëm dhe bindës në lidhje me atë që i ka ndodhur Tarek Hassanit në Kamp dhe për të treguar që ai është liruar dhe që lirimi ka ndjekur një procedurë të sigurt (shih paragrafin 49 lart). Të dhënat kompjuterike tregojnë se deri më 22 maj 2003 Mbretëria e Bashkuar kishte kapur dhe procesuar rreth 3.738 të paraburgosur në Irak që nga fillimi i armiqësive dhe i kishte liruar të gjithë përveç 361 syresh (shih paragrafin 28 lart). Duke pasur parasysh kohën që kishte kaluar para se kërkuesi të paraqiste kërkesën e tij dhe numrin e madh të të paraburgosurve të Mbretërisë së Bashkuar që ishin liruar nga Kamp Bucca rreth fundit të prillit dhe fillimit të majit 2003, nuk është e habitshme që nuk është gjetur asnjë dëshmitar okular i cili e mban mend lirimin e Tarek Hassanit. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata gjen që provat e përmendura më lart janë të mjaftueshme për të përmbushur barrën e provës së Qeverisë.
57. Së fundi, nuk ka prova para Gjykatës që sugjerojnë se Tarek Hassan është keqtrajtuar gjatë kohës së paraburgimit. Intervista tregon që ai është marrë në pyetje dy herë, shkurt pas pranimit të tij në Kamp, dhe është gjetur se ishte civil, pa vlera në aspektin e të dhënave të inteligjencës, dhe që nuk përbënte kërcënim për sigurinë. Deklarata e dëshmitarit e paraqitur nga kërkuesi që ishte dhënë nga Z. Al-Saadoon, i cili pretendonte se e kishte parë Tarek Hassanin në pjesën e mbajtjes së civilëve në Kamp Bucca gjatë periudhës pas marrjes në pyetje dhe para lirimit të tij, nuk përmend shenja lëndimesh mbi Tarek Hassanin apo ndonjë ankesë prej tij për keqtrajtim. Për më tepër, përveç deklaratës së dëshmitarit të kërkuesit, nuk ka prova para Gjykatës rreth shkakut të vdekjes së Tarek Hassanit ose pranisë së shenjave të keqtrajtimit në trupin e tij, meqenëse certifikata e vdekjes nuk përmban informacione lidhur me këto gjëra. Nëse përshkrimi i kërkuesit për trupin e vëllait të tij merret si i mirëqenë, kalimi i katër muajve mes lirimit të Tarek Hassanit dhe vdekjes së tij nuk e mbështet pikëpamjen që lëndimet e tij janë shkaktuar gjatë kohës që ai ka qenë në paraburgim.
58. Pas konstatimit të fakkteve të çështjes, Gjykata duhet më tej të shqyrtojë ankesat e kërkuesit sipas Konventës.
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENEVE 2 DHE 3 TË KONVENTËS
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
59. Kërkuesi u ankua që rrethanat e vdekjes së Tarek Hassanit i kanë dhënë shkas, të paktën, një shkeljeje prima facie të neneve 2 dhe 3 të Konventës, ku përfshihet detyrimi i Qeverisë për të ndërmarrë hetime efektive. Neni 2 i Konventës thotë si vijon:
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i merret jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjyqësor me vdekje, pas dënimit për një krim për të cilin ky dënim është parashikuar me ligj.
2. Marrja e jetës nuk konsiderohet të shkaktohet në kundërshtim me këtë nen në rastet kur ajo vjen si pasojë e përdorimit të forcës, që është jo më shumë se absolutisht e nevojshme:
(a) në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme;
(b) për të kryer një arrestim të ligjshëm ose për të parandaluar arratisjen e një personi të cilit i është hequr liria ligjërisht;
(c) për të kundërshtuar, në përputhje me ligjin, një trazirë ose kryengritje.”
Neni 3 i Konventës parashikon:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve apo trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
60. Kërkuesi theksoi që u takonte autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar, të cilat ishin të vetmet që kishin njohuri lidhur me atë që i kishte ndodhur Tarek Hassanit pas arrestimit të tij, që të konstatonin që ai ishte i gjallë kur u largua nga paraburgimi dhe që ai nuk ishte lënë i lirë në një situatë ku ai ishte i ekspozuar ndaj rrezikut të vdekjes ose keqtrajtimit serioz. Zhdukja dhe vdekja e tij pas paraburgimit nga Mbretëria e Bashkuar i dha shkas një argumenti prima facie që Tarek është vrarë nga ose me përfshirjen e personelit të Mbretërisë së Bashkuar ose është ekspozuar ndaj një rreziku real ndaj vdekjes ose keqtrajtimit nga personeli i Mbretërisë së Bashkuar duke u lënë i lirë në një zonë të largët ose të rrezikshme, ose duke u transferuar në duart e një pale të tretë. Kjo ngrinte dy çështje sipas neneve 2 dhe 3. Së pari, në qoftë se Qeveria nuk mund të ofronte një shpjegim alternativ të besueshëm të ngjarjeve që çuan në vdekjen e Tarek Hassanit, atëherë Mbretëria e Bashkuar do të duhet të mbahej përgjegjëse për të. Së dyti, ishte një rast i diskutueshëm i shkeljes së neneve 2 dhe 3, duke angazhuar detyrimin procedural për të zhvilluar hetime.
2. Qeveria
61. Qeveria parashtroi që, në një çështje si kjo, nuk mund të ngrihej detyrimi për të zhvilluar hetime nga nenet 2 dhe 3 në qoftë se nuk kishte të paktën një argument që Mbretëria e Bashkuar ishte përgjegjëse për keqtrajtimin e Tarek Hassanit ose për shkaktimin e vdekjes së tij, ose që vdekja e Tarek Hassanit kishte ndodhur në një territor që kontrollohej nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas provave, ky nuk ishte rast në të cilin vdekja kishte ndodhur gjatë kohës së mbajtjes në paraburgim nga Shteti. Vdekje të tilla mund të përmbanin një kufi më të ulët për detyrën e hetimeve, por në këtë rast nuk ishte kështu. Vdekja e Tarek Hassanit ndodhi shumë muaj pas lirimit të tij dhe në rrethana në të cilat nuk kishte asgjë që tregonte përfshirjen e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar në këtë vdekje.
B. Vlerësimi i Gjykatës
62. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, detyrimi për të mbrojtur të drejtën për jetë sipas nenit 2, i lexuar së bashku me detyrën e përgjithshme të Shtetit nga neni 1 i Konventës për t’i “siguruar secilit brenda juridiksionit të tij të drejtat dhe liritë e përkufizuara në Konventë”, kërkon përmes nënkuptimit që duhet të ekzistojë një formë e hetimeve zyrtare efektive kur ka individë të vrarë si rezultat i përdorimit të forcës nga agjentët e Shtetit (shih Al-Skeini dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 55721/07, § 163, ECHR 2011). Përveç kësaj, neni 3 vendos një detyrë para Shtetit që të zhvillojë hetime zyrtare efektive aty ku një individ bën një “pohim të besueshëm” që ai ka vuajtur keqtrajtime në shkelje të asaj dispozite në duart e zyrtarëve të Shtetit, ose, në mungesë të një ankese të shprehur, aty ku ka tregues të tjerë mjaft të qartë që mund të ketë pasur tortura ose keqtrajtim (shih Labita kundër Italisë [GC], nr. 26772/95, § 131, ECHR 2000 IV dhe Anëtarët (97) e Bashkësisë Gldani të Dëshmitarëve të Jehovait kundër Gjeorgjisë, nr. 71156/01, § 97, 3 maj 2007, dhe çështjet e cituara aty).
63. Në rastin konkret, duke iu referuar fakteve të vlerësuara më lart nga Gjykata, nuk ka prova që sugjerojnë se Tarek Hassan është keqtrajtuar gjatë kohës që është mbajtur në paraburgim, të atilla që do t’i jepnin shkas detyrimit për Shtetin përgjegjës sipas nenit 3 që të zhvillojë hetime zyrtare. As nuk ka prova që autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar ishin përgjegjëse në ndonjë mënyrë, direkt ose indirekt, për vdekjen e Tarek Hassanit, e cila kishte ndodhur rreth katër muaj pas lirimit të tij nga Kamp Bucca, në një pjesë të largët të vendit jo të kontrolluar nga forcat e Mbretërisë së Bashkuar. Në mungesë të provave për përfshirjen e agjentëve të Mbretërisë së Bashkuar në vdekje, ose qoftë edhe të çfarëdo prove që vdekja ka ndodhur brenda territorit të kontrolluar nga Mbretëria e Bashkuar, atëherë nuk mund të dalë asnjë detyrim për hetime nga neni 2.
64. Si përfundim, Gjykata konsideron që ankesat sipas neneve 2 dhe 3 të Konventës janë dukshëm të pabazuara brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës dhe duhet të deklarohen të papranueshme në përputhje me nenin 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës.
III. SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 5 §§ 1, 2, 3 DHE 4 TË KONVENTËS
65. Kërkuesi pretendoi që kapja e vëllait të tij nga forcat e Mbretërisë së Bashkuar dhe paraburgimi i tij në Kamp Bucca i ka dhënë shkas shkeljes së të drejtave të tij sipas nenit 5 §§ 1, 2, 3 dhe 4 të Konventës, i cili parashikon, sipas relevancës:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë dhe të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
...
(b) kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
(c) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
...
2. Çdo person i arrestuar duhet të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që ai e kupton për arsyet e arrestimit të tij dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet.
3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1(c) të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet nga garanci për t’u paraqitur para gjykatës.
4. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.”
Qeveria e mohoi që Tarek Hassan hynte brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar kurdo gjatë kohës materiale. Përndryshe, ajo mohoi që kapja dhe paraburgimi i tij, gjatë një konflikti të armatosur ndërkombëtar, i jepte shkas çfarëdo shkeljeje të dispozitave të nenit 5.
A. Juridiksioni
66. Kërkuesi diskutoi që gjatë tërë kohës materiale vëllai i tij ndodhej brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar, brenda kuptimit të nenit 1 të Konventës, i cili parashikon:
“Palët e Larta Kontraktuese i sigurojnë çdokujt brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Titullin I të kësaj Konvente.”
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesi
67. Kërkuesi parashtroi që Tarek Hassan hynte brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sipas nenit 1 për shkak të zbatimit të parimit të “kontrollit efektiv të një zone”, siç shprehet Gjykata në Al Skeini dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 55721/07, § 138-140, ECHR 2011. Ai më tej parashtroi që kuptimi që duhet të nxirrej nga vendimi në Al Skeini ishte që Mbretëria e Bashkuar kishte kontroll efektiv mbi Irakun Juglindor pas heqjes nga pushteti të regjimit Ba’ath, që ishte arritur më 1 maj 2003. Ai vuri në pah se deri më 9 prill 2003 trupat e koalicionit kishin marrë në kontroll Bagdadin dhe deri nga mesi i prillit 2003, shumë kohë para kapjes së Tarek Hassanit, deklaratat e bëra nga Kryeministri britanik dhe nga drejtori i operacioneve për Shefat e Shtabit të Shteteve të Bashkuara tregonin që forcat e koalicionit e konsideronin luftën efektivisht të përfunduar. Për sa u përket kritereve të identifikuara nga Gjykata si relevante për çështjen nëse një Shtet ushtronte kontroll efektiv të një zone, pra “fuqia e pranisë ushtarake të një shteti në zonë” dhe “shkallës në të cilën mbështetja e tij ushtarake, ekonomike dhe politike për administratën vartëse vendase i jep atij ndikim dhe kontroll mbi rajonin”, nuk kishte prova të ndonjë ndryshimi praktik domethënës mes 23 prillit dhe 1 majit 2003, dhe nuk kishte arsye përse të kishte ndryshime në qëndrimin ligjor.
68. Përndryshe, kërkuesi argumentoi që juridiksioni ishte përcaktuar qartë nën parimin e autoritetit të agjentit të Shtetit. Parashtrimi i kërkuesit ishte që, sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, juridiksioni mbi këtë bazë nuk varej nga kontrolli mbi një ndërtesë, zonë ose automjet por gjithashtu mund të lindte thjesht edhe aty ku kishte kontroll ose autoritet fizik mbi një person. Një autoritet dhe kontroll i tillë mbi individët nuk duhet të ishte ekskluziv ose i plotë në mënyrë që të ekzistonte juridiksioni. As nuk ishte e nevojshme që Shteti të ishte në pozitë të atillë që t’i garantonte të gjitha të drejtat e Konventës personit nën kontrollin e tij. Mbi këtë bazë, Gjykata duhet ta refuzojë argumentin e Qeverisë që kontrolli dypalësh ose i përbashkët nuk ishte i mjaftueshëm për qëllimet e nenit 1 të Konventës.
69. Kërkuesi parashtroi që, pas arrestimit të vëllait të tij gjatë natës së 22/23 prillit 2003, kur ky i fundit u mor në paraburgim nga ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar, nuk mund të diskutohet realisht që Mbretëria e Bashkuar kishte autoritet dhe kontroll, e rrjedhimisht juridiksion nga neni 1, mbi të. Në lidhje me periudhën pas pranimit të tij në Kamp Bucca, Mbretëria e Bashkuar vazhdoi të ushtronte autoritet dhe kontroll mbi paraburgimin e tij. Në mënyrë të veçantë, ai u identifikua si i paraburgosur i Mbretërisë së Bashkuar edhe në bazën e të dhënave të Mbretërisë së Bashkuar, AP3-Ryan, edhe në bazën e të dhënave të Shteteve të Bashkuara të Kampit Bucca. Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar ishin përgjegjëse për përgatitjen e raportit të kapjes dhe raportit të paraburgimit. Menjëherë pas arritjes së tij në Kamp, ai u dërgua në kompleksin e JFIT, i cili kontrollohej tërësisht nga forcat e Mbretërisë së Bashkuar, dhe vazhdoi të qëndronte aty deri më 25 prill. Edhe pas transferimit të tij nga kompleksi i JFIT, ai mbeti nën kontrollin e Mbretërisë së Bashkuar, meqenëse autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar vazhduan të mbanin përgjegjësinë për mirëqenien e të paraburgosurve të Mbretërisë së Bashkuar në Kamp Bucca; ata ndërlidheshin me ICRC për sa i përkiste trajtimit të tyre dhe lajmërimit të familjeve të tyre për paraburgimin e tyre; ruanin të drejta të plota të qasjes dhe kishte një ekip monitorues rezident në Kamp Bucca për të siguruar pajtueshmërinë me standardet vendase dhe ndërkombëtare. Shtabi i Lartë i Mbretërisë së Bashkuar (policia ushtarake) kishte përgjegjësi mbikëqyrëse për të paraburgosurit e Mbretërisë së Bashkuar, të cilët i kontrollonte çdo ditë, dhe të paraburgosurit e Mbretërisë së Bashkuar që kishin nevojë për kujdes mjekësor trajtoheshin në spitalet fushore të Mbretërisë së Bashkuar. Mbretëria e Bashkuar gjithashtu vazhdonte të ishte përgjegjëse për klasifikimin e të paraburgosurve sipas neneve 4 dhe 5 të Konventës së Tretë të Gjenevës. Nuk kishte asgjë që sugjeronte se autoritetet e Shteteve të Bashkuara pohonin ndonjë bazë të vetën për ta mbajtur Tarek Hassanin të paraburgosur. Dëshmia e Majorit Wilson ishte që vendimet nëse një i paraburgosur i Mbretërisë së Bashkuar do të lirohej merreshin nga Mbretëria e Bashkuar. Në rastin e Tarek Hassanit, ishte JFIT ajo që rekomandoi që ai të lirohej. Për më tepër, nëse autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar merrnin një vendim që të lirohej një i paraburgosur, ai nuk mund të lirohej thjesht nga Shtetet e Bashkuara por duhej të procesohej nga Mbretëria e Bashkuar për të dalë prej kampit. Sipas mendimit të kërkuesit, ishte e qartë se, gjatë ruajtjes dhe shoqërimit të të paraburgosurve në Kamp Bucca, Shtetet e Bashkuara vepronin si agjentë për Mbretërinë e Bashkuar. Kjo u konfirmua nga fakti që Mbretëria e Bashkuar i rimbursonte Shtetet e Bashkuara për kostot e mbajtjes së të paraburgosurve. Mbajtja e të paraburgosurve në bazën e Shteteve të Bashkuara ishte thjesht çështje prakticiteti operativ. Në thelb, ky qëndrim nuk ishte ndryshe prej jashtëkontraktimit nga Mbretëria e Bashkuar të detyrave të ruajtjes së të paraburgosurve tek kontraktorët e jashtëm. Mbretëria e Bashkuar nuk mund të kontraktonte jashtë përgjegjësisë së saj sipas Konventës për të paraburgosurit dhe nuk mund ta lironte veten nga përgjegjësia e vendosjes së të paraburgosurve në mbajtje të përkohshme të një organizate tjetër.
(b) Qeveria
70. Qeveria theksoi që, sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, ushtrimi i juridiksionit jashtëterritorial mbetej i jashtëzakonshëm. Më tej, koncepti i juridiksionit nuk i nënshtrohej doktrinës së “instrumentit të gjallë”. Në çështjen Al-Skeini, cituar lart, Gjykata gjeti që Mbretëria e Bashkuar kishte juridiksion në lidhje me vdekjet e të afërmve të kërkuesve për shkak të një kombinimi të dy rrethanave që kanë të bëjnë me faktet. Elementi i parë kyç ishte fakti që Mbretëria e Bashkuar, nga 1 maji 2003 deri më 24 qershor 2004, kishte marrë përsipër autoritetin dhe përgjegjësinë për ruajtjen e sigurisë në Irakun Juglindor si fuqi pushtuese. Elementi i dytë ishte fakti që vdekjet kishin ndodhur gjatë operacioneve të sigurisë të zhvilluara nga forcat britanike në kuadër të prezumimit të atij autoriteti dhe asaj përgjegjësie. Në mungesë të të dy këtyre faktorëve, nuk do të kishte pasur lidhje juridiksionale. Në mënyrë të veçantë, Gjykata nuk gjeti juridiksion mbi bazën e doktrinës së “kontrollit efektiv të një zone” dhe iu referua shprehimisht gjetjeve të Gjykatës së Apelit në procedurat vendase të Al-Skeinit, që do të kishte qenë “krejtësisht joreale” të sugjerohej që në maj 2003 Mbretëria e Bashkuar kishte kontroll efektiv dhe ishte e detyruar t’i siguronte secilit person në Basrah të drejtat dhe liritë e garantuara nga Konventa. Më 23 prill 2003, kur u arrestua vëllai i kërkuesit, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte marrë ende përsipër përgjegjësinë për operacionet e sigurisë në Irakun Juglindor; kjo nuk ndodhi deri më 1 maj 2003.
71. Qeveria njohu faktin se Gjykata kishte vendosur që një situatë në të cilën mund të kishte juridiksion sipas nenit 1 ishte kur agjentët e Shtetit Kontraktues që vepronin jashtë territorit të tij ushtronin “kontroll total dhe ekskluziv” ose “kontroll të plotë dhe ekskluziv” mbi një individ, për shembull aty ku individi mbahej në paraburgim nga agjentët e Shtetit Kontraktues jashtë vendit. Megjithatë, ajo parashtroi që kjo bazë juridiksioni nuk zbatohej në fazën aktive të armiqësive të një konflikti të armatosur ndërkombëtar, ku agjentët e Shtetit Kontraktues në fjalë vepronin në një territor në të cilin nuk ishin fuqi pushtuese. Në një rast të tillë, sjellja e Shtetit Kontraktues, përkundrazi, do t’i nënshtrohej të gjitha kritereve të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Kështu, çdo gjë që ka ndodhur para 1 majit 2003, përfshirë kapjen e Tarek Hassanit, transferimin në mbajtje të Shteteve të Bashkuara në Kamp Bucca dhe marrja në pyetje nga forcat britanike më 25 prill 2003, nuk ishte brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar për qëllimet e nenit 1 të Konventës.
72. Më tej, Qeveria diskutoi që Tarek Hassan nuk hynte brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar pas pranimit të tij në Kamp Bucca mbi bazën e vetme që, në atë kohë, ai u transferua në mbajtje të Shteteve të Bashkuara dhe pushoi së qeni ekskluzivisht, apo qoftë edhe kryesisht, nën kontrollin e Mbretërisë së Bashkuar. Sipas Qeverisë, praktika gjyqësore e Gjykatës kërkonte që agjentët e një Shteti Kontraktues që vepronin jashtë territorit të tij ushtronin “kontroll total dhe ekskluziv” ose “kontroll të plotë dhe ekskluziv” mbi një individ në mënyrë që të konstatohej juridiksioni; kontrolli dypalësh ose i përbashkët nuk ishte i mjaftueshëm për të konstatuar juridiksionin për qëllime të nenit 1. Këto përfundime nuk ndikoheshin nga fakti që sipas paragrafit 4 të MOA (shih paragrafin 16 lart) Mbretëria e Bashkuar mund të kishte kërkuar kthimin e Tarek Hassanit në mbajtje të vet nga Shtetet e Bashkuara. Nuk kishte prova që Mbretëria e Bashkuar as ta kishte bërë një kërkesë të tillë. Më tej, fakti që dispozita për bërjen e një kërkese të tillë ishte e përfshirë në MOA ofronte tregues të qartë që, për sa kohë që personi në fjalë mbetej në mbajtjen dhe kontrollin e Shteteve të Bashkuara, ai nuk ishte brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar. Ky qëndrim parimi mbështetej nga neni 12 i Konventës së Tretë të Gjenevës (shih paragrafin 33 lart). Paragrafi i parë i nenit 12 deklaronte që “Fuqia Pushtuese është përgjegjëse për trajtimin që u bëhet” të burgosurve të luftës. Megjithatë, paragrafi i dytë e bënte të qartë se, pas transferimit të një të burgosuri të luftës nga Fuqia Pushtuese tek një Shtet tjetër Palë të Konventës, “përgjegjësia për zbatimin e Konventës bie mbi Fuqinë që e pranon atë gjatë kohës që ai mbahet prej saj”. Kështu, gjatë kohës që Tarek Hassan ka qenë i paraburgosur në Kamp Bucca, përgjegjësia për zbatimin e Konventës së Tretë dhe të Katërt të Gjenevës në lidhje me të binte mbi Shtetet e Bashkuara.
73. Sido që të jetë, Qeveria diskutoi që nga 25 prilli 2003, kur Tarek Hassan u përcaktua se ishte civil që duhet të lirohej, dhe u lëviz për në pjesën e mbajtjes së civilëve në Kamp Bucca, as Mbretëria e Bashkuar e as Shtetet e Bashkuara nuk pretendonin se ushtronin të drejtën ligjore për ta mbajtur atë. Ai qëndroi në Kamp vetëm për shkak se situata e sigurisë e bënte të papërgjegjshëm lirimin e tij të menjëhershëm. Ai nuk do të mbahej më i paraburgosur, por qëndroi në Kamp Bucca duke pritur transportimin drejt vendit të kapjes. Ngjashëm, ndërkohë që ai po transportohej me autobus nga forcat e Mbretërisë së Bashkuar drejt vendit ku do të lirohej, ai ishte person i lirë dhe nuk ishte në mbajtjen as nën kontrollin e, apo nën juridiksionin e, Mbretërisë së Bashkuar.
2. Vlerësimi i Gjykatës
74. Gjykata kujton që në çështjen Al-Skeini, cituar lart, §§ 130-142, ajo i përmblodhi parimet e zbatueshme në lidhje me juridiksionin brenda kuptimit të nenit 1 të Konventës të ushtruar jashtë territorit të Shtetit Kontraktues si vijon:
“130. ... Siç parashikohet nga [neni 1 i Konventës] angazhimi i ndërmarrë nga një Shtet Kontraktues kufizohet në ‘sigurimin’ (‘reconnaître’ në tekstin frëngjisht) e të drejtave dhe lirive të personave brenda ‘juridiksionit’ të vet (shih Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 86, Seria A nr. 161; Banković dhe të Tjerë kundër Belgjikës dhe të Tjerëve [GC] (dec.), nr. 52207/99, § 66, ECHR 2001‑ XII). ‘Juridiksioni’ sipas nenit 1 është kriter kufi. Ushtrimi i juridiksionit është kusht i nevojshëm që një Shtet Kontraktues të ketë mundësi të mbahet përgjegjës për veprime apo mosveprime për që mund t’i ngarkohen atij të cilat i japin shkas akuzave për shkelje të të drejtave dhe lirive të përcaktuara në Konventë (shih Ilaşcu dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, § 311, ECHR 2004‑VII).
(α) Parimi territorial
131. Kompetenca juridiksionale e një Shteti nga neni 1 është kryesisht territoriale (shih Soering, cituar lart, § 86; Banković, cituar lart, §§ 61 dhe 67; Ilaşcu, cituar lart, § 312). Juridiksioni presupozohet se ushtrohet normalisht në tërë territorin e një Shteti (Ilaşcu, cituar lart, § 312; Assanidze kundër Gjeorgjisë [GC], nr. 71503/01, § 139, ECHR 2004‑II). Anasjelltas, veprimet e Shtetit Kontraktues të kryera, ose që prodhojnë efekte, jashtë territoreve të tyre mund të përbëjnë ushtrim të juridiksionit brenda kuptimit të nenit 1 vetëm në raste të jashtëzakonshme (Banković, cituar lart, § 67).
132. Deri më sot, Gjykata në praktikën e saj gjyqësore ka njohur disa rrethana të jashtëzakonshme që i japin shkas ushtrimit të juridiksionit nga një Shtet Kontraktues jashtë kufijve të vet territorialë. Në secilin rast, çështja nëse ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që kërkojnë dhe justifikojnë gjetjen nga Gjykata që Shteti ka qenë duke ushtruar juridiksion jashtëterritorial duhet të vendoset duke iu referuar fakteve të veçanta.
(β) Autoriteti dhe kontrolli i agjentit të Shtetit
133. Gjykata ka njohur në praktikën e saj gjyqësore që, si përjashtim nga parimi i territorialitetit, juridiksioni i një Shteti Kontraktues sipas nenit 1 mund të shtrihet për të përfshirë veprime të autoriteteve të tij të cilat prodhojnë efekte jashtë territorit të vet (Drozd dhe Janousek kundër Francës dhe Spanjës, vendimi i 26 qershorit 1992, Seria A nr. 240, § 91; Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake), 23 mars 1995, § 62, Seria A nr. 310; Loizidou kundër Turqisë (themelet), 18 dhjetor 1996, § 52, Raporte të Vendimeve 1996‑VI; dhe Banković, cituar lart, 69). Deklarimi i parimeve, ashtu siç paraqitet në Drozd dhe Janousek dhe në çështje të tjera të sapocituara, është shumë i gjerë: Gjykata deklaron thjesht që përgjegjësia e Palës Kontraktuese ‘mund të përfshihet’ në këto rrethana. Është e nevojshme të shqyrtohet praktika gjyqësore e Gjykatës në mënyrë që të identifikohen parimet përkufizuese.
134. Së pari, është e qartë se veprimet e agjentëve diplomatikë dhe konsullorë, të cilët janë të pranishëm në territorin e huaj në përputhje me dispozitat e të drejtës ndërkombëtare, mund të shkojnë në ushtrimin e juridiksionit kur këta agjentë ushtrojnë autoritet dhe kontroll mbi të tjerët (Banković, cituar lart, § 73; shih gjithashtu X kundër Republikës Federale të Gjermanisë, nr. 1611/62, vendimi i Komisionit i 25 shtatorit 1965, Libri Vjetor i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, vëll. 8, fq. 158 dhe 169; X kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 7547/76, vendimi i Komisionit i 15 dhjetorit 1977; WM kundër Danimarkës, nr. 17392/90, vendimi i Komisionit i 14 tetorit 1993).
135. Së dyti, Gjykata e ka njohur ushtrimin e juridiksionit jashtëterritorial nga një Shtet Kontraktues kur, përmes pëlqimit, ftesës ose pranimit të heshtur të Qeverisë në atë territor, ai ushtron të gjitha ose disa prej pushteteve publike që normalisht ushtrohen nga ajo Qeveri (Banković, cituar lart, § 71). Kështu, aty ku, në përputhje me zakonet, paktin ose një marrëveshje tjetër, autoritetet e Shtetit Kontraktues zhvillojnë funksione ekzekutive ose gjyqësore në territorin e një Shteti tjetër, Shteti Kontraktues mund të jetë përgjegjës për shkeljet e Konventës që ndodhin aty, për sa kohë që veprimet në fjalë i atribuohen atij e jo Shtetit territorial (shih Drozd dhe Janousek, cituar lart; Gentilhomme dhe të Tjerë kundër Francës, nr. 48205/99, nr. 48207/99 dhe nr. 48209/99, vendimi i 14 majit 2002; dhe gjithashtu X dhe Y kundër Zvicrës, nr. 7289/75 dhe nr. 7349/76, vendimi i Komisionit mbi pranueshmërinë i 14 korrikut 1977, DR 9, fq. 57).
136. Më tej, praktika gjyqësore e Gjykatës tregon që, në rrethana të caktuara, përdorimi i forcës nga agjentët e një Shteti që veprojnë jashtë territorit të tij mund ta sjellë individin e ardhur aty nën kontrollin e autoriteteve të Shtetit brenda juridiksionit të Shtetit sipas nenit 1. Ky parim është zbatuar kur një individ merret në paraburgim nga agjentët e Shtetit jashtë vendit. Për shembull, në Öcalan kundër Turqisë [GC], nr. 46221/99, § 91, ECHR 2005‑IV, Gjykata vendosi që ‘menjëherë pas dorëzimit nga zyrtarët kenianë tek zyrtarët turq, kërkuesi u ndodh efektivisht nën autoritetin turk e rrjedhimisht brenda “juridiksionit” të atij Shteti për qëllime të nenit 1 të Konventës, edhe pse në këtë rast Turqia e ushtroi autoritetin e saj jashtë territorit të saj’. Në Issa dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 31821/96, 16 nëntor 2004, Gjykata u shpreh se, sikur të ishte konstatuar që ushtarët turq i kishin marrë në paraburgim të afërmit e kërkuesve në Irakun Verior, i kishin dërguar në një shpellë aty afër dhe i kishin ekzekutuar, të vdekurit do të kishin qenë brenda juridiksionit turk për shkak të autoritetit dhe kontrollit të ushtarëve mbi ta. Në Al‑Saadoon dhe Mufdhi kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 61498/08, §§ 86-89, 30 qershor 2009, Gjykata vendosi që dy shtetas irakianë të mbajtur në burgjet ushtarake të kontrolluara nga britanikët në Irak hynin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar, meqenëse Mbretëria e Bashkuar ushtronte kontroll të plotë dhe ekskluziv mbi burgjet dhe individët e paraburgosur në to. Së fundi, në Medvedyev dhe të Tjerë kundër Francës [GC], nr. 3394/03, § 67, ECHR 2010-..., Gjykata vendosi që kërkuesit ndodheshin brenda juridiksionit francez për shkak të ushtrimit nga agjentët francezë të kontrollit të plotë dhe ekskluziv të një anijeje dhe ekuipazhit të saj nga momenti i pikasjes në ujëra ndërkombëtare. Gjykata nuk konsideron që juridiksioni në rastet e lartpërmendura ka lindur vetëm nga kontrolli i ushtruar nga Shteti Kontraktues në lidhje me ndërtesat, avionët apo anijet në të cilat janë mbajtur individët. Ajo që është vendimtare në raste të tilla është ushtrimi i fuqisë dhe kontrollit fizik mbi personin në fjalë.
37. Është e qartë që, kurdo që një Shtet përmes agjentëve të vet ushtron kontroll dhe autoritet, e rrjedhimisht juridiksion, mbi një individ Shteti ka për detyrim sipas nenit 1 që t’i sigurojë atij individi të drejtat dhe liritë nga Seksioni 1 i Konventës të cilat janë relevante për situatën e atij individi. Prandaj, në këtë kuptim, të drejtat e Konventës mund të ‘ndahen dhe të përshtaten’ (krahaso Banković, cituar lart, § 75).
(γ) Kontrolli efektiv mbi një zonë
138. Një përjashtim tjetër nga parimi që juridiksioni sipas nenit 1 është i kufizuar brenda territorit të një Shteti ndodh kur, si pasojë e një veprimi ushtarak të ligjshëm ose të paligjshëm, një Shtet Kontraktues ushtron kontroll efektiv të një zone jashtë atij territori kombëtar. Detyrimi për të siguruar, në një zonë të tillë, të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë, rrjedh nga fakti i një kontrolli të tillë, pavarësisht nëse ai ushtrohet drejtpërdrejt, përmes vetë forcave të armatosura të Shtetit Kontraktues, apo përmes një administrate vartëse vendase (Loizidou (kundërshtimet paraprake), cituar lart, § 62; Qipro kundër Turqisë [GC], nr. 25781/94, § 76, ECHR 2001‑IV, Banković, cituar lart, § 70; Ilaşcu, cituar lart, §§ 314-316; Loizidou (themelet), cituar lart, § 52). Aty ku konstatohet fakti i një dominimi të tillë mbi territorin, nuk është e nevojshme të përcaktohet nëse Shteti Kontraktues ushtron kontroll të hollësishëm mbi politikat dhe veprimet e administratës lokale vartëse. Fakti që administrata lokale mbijeton si rezultat i mbështetjes ushtarake dhe të natyrave të tjera të Shtetit Kontraktues ngërthen në vetvete përgjegjësinë e atij Shteti për politikat dhe veprimet e tij. Shteti kontrollues ka përgjegjësi nga neni 1 për të siguruar, brenda zonës nën kontrollin e tij, tërë gamën e të drejtave substanciale të përcaktuara në Konventë dhe atyre Protokolleve shtesë të cilat ai i ka ratifikuar. Ai do të mbahet përgjegjës për çdo shkelje të atyre të drejtave (Qipro kundër Turqisë, cituar lart, §§ 76-77).
139. Është çështje faktesh nëse një Shtet Kontraktues ushtron kontroll efektiv mbi një zonë jashtë territorit të vet. Gjatë përcaktimit nëse ekziston kontrolli efektiv, Gjykata kryesisht do t’i referohet fuqisë së pranisë ushtarake të Shtetit në zonë (shih Loizidou (themelet), cituar lart, §§ 16 dhe 56; Ilaşcu, cituar lart, § 387). Tregues të tjerë po ashtu mund të jenë të rëndësishëm, siç është shkalla deri ku mbështetja e tij ushtarake, ekonomike dhe politike për administratën lokale vartëse i ofron atij ndikim dhe kontroll mbi atë rajon (shih Ilaşcu, cituar lart, §§ 388-394).
140. Parimi i juridiksionit sipas ‘kontrollit efektiv’ i cekur më lart nuk e zëvendëson sistemin e deklarimeve nga neni 56 i Konventës (ish-neni 63) për të cilin Shtetet kanë vendosur, gjatë hartimit të Konventës, që ta zbatojnë në ato territore jashtë vendit për marrëdhëniet ndërkombëtare të të cilave ato janë përgjegjëse. Neni 56 § 1 parashikon një mekanizëm sipas të cilit çdo Shtet mund të vendosë ta shtrijë zbatimin e Konventës, ‘duke pasur parasysh si duhet ... kërkesat lokale’, në të gjitha ose cilindo prej territoreve për marrëdhëniet ndërkombëtare të të cilave ai është përgjegjës. Ekzistenca e këtij mekanizmi, i cili u përfshi në Konventë për arsye historike, nuk mund të interpretohet në kushtet e tanishme si i atillë që e kufizon fushëveprimin e termit ‘juridiksion’ në nenin 1. Situatat e mbuluara nga parimi i ‘kontrollit efektiv’ janë qartësisht të ndara dhe të dallueshme nga rrethanat ku një Shtet Kontraktues, përmes një deklarate sipas nenit 56, nuk e ka shtrirë Konventën apo ndonjë prej Protokolleve të saj për të përfshirë një territor jashtë vendit për marrëdhëniet ndërkombëtare të të cilit ai është përgjegjës (shih Loizidou (kundërshtimet paraprake), cituar lart, §§ 86-89 dhe Quark Fishing Ltd kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 15305/06, ECHR 2006-...).
(δ) Hapësira ligjore e Konventës (‘espace juridique’)
141. Konventa është një instrument kushtetues i rendit publik evropian (shih Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake), cituar lart, § 75). Ajo nuk qeveris veprimet e Shteteve që nuk janë Palë në të, as nuk pretendon të jetë mjet përmes të cilit u kërkohet Shteteve Kontraktuese që të imponojnë standardet e Konventës mbi Shtete të tjera (shih Soering, cituar lart, § 86).
142. Gjykata ka theksuar që, aty ku territori i një Shteti të Konventës është i pushtuar nga forcat e armatosura të një tjetri, Shteti pushtues në parim duhet të mbajë përgjegjësi sipas Konventës për shkeljet e të drejtave të njeriut brenda territorit të pushtuar, sepse të thuhet ndryshe do të nënkuptonte privimin e popullsisë së territorit nga të drejtat dhe liritë e gëzuara sipas Konventës dhe do të rezultonte në një ‘vakum’ mbrojtjeje brenda ‘hapësirës ligjore të Konventës’ (shih Loizidou (themelet), cituar lart, §78; Banković, cituar lart, § 80). Megjithatë, rëndësia e konstatimit të juridiksionit të Shtetit pushtues në raste të tilla nuk nënkupton, a contrario, që juridiksioni nga neni 1 i Konventës nuk mund të ekzistojë kurrë jashtë territorit të mbuluar nga Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës. Gjykata gjatë praktikës së saj gjyqësore nuk ka zbatuar ndonjë kufizim të tillë (shih mes shembujve të tjerë Öcalan, Issa, Al-Saadoon dhe Mufdhi, Medvedyev, të gjitha të cituara lart).”
75. Në Al-Skeini, cituar lart, Gjykata gjeti që të afërmit e kërkuesve hynin brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sepse gjatë periudhës 1 maj 2003 – 28 qershor 2004 Mbretëria e Bashkuar kishte marrë përsipër autoritetin për ruajtjen e sigurisë në Irakun Juglindor dhe të afërmit ishin vrarë gjatë operacioneve të sigurisë të zhvilluara nga trupat e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të asaj marrjeje përsipër të autoritetit (Al-Skeini §§ 143-150). Duke pasur parasysh këtë gjetje, ishte e panevojshme të përcaktohej nëse edhe gjithashtu dilte edhe juridiksioni mbi bazën e faktit që Mbretëria e Bashkuar kishte kontroll efektiv ushtarak të Irakut Juglindor gjatë asaj periudhe. Megjithatë, deklarimi i fakteve në Al-Skeini përfshinte materiale të cilat mëtonin të tregonin se Mbretëria e Bashkuar ishte larg të pasurit kontroll efektiv mbi zonën juglindore që e kishte pushtuar, dhe kjo ishte po ashtu edhe gjetja e Gjykatës së Apelit, e cila kishte dëgjuar dëshmi në lidhje me këtë pikë gjatë procedurave vendase të çështjes Al-Skeini (shih Al-Skeini, cituar lart, §§ 20-23 dhe § 80). Çështja e tanishme ka të bëjë me një periudhë më të hershme, para se Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e saj të koalicionit të deklaronin se faza e armiqësive aktive të konfliktit kishte përfunduar dhe që ata ishin pushtues, dhe para se Mbretëria e Bashkuar të merrte përsipër përgjegjësinë për ruajtjen e sigurisë në juglindje të vendit (shih Al-Skeini, cituar lart, §§ 10-11). Megjithatë, ashtu si në Al-Skeini, Gjykata nuk e sheh të nevojshme të vendosë nëse Mbretëria e Bashkuar ka pasur kontroll efektiv të zonës gjatë periudhës relevante, sepse ajo gjen që Mbretëria e Bashkuar ka ushtruar juridiksion mbi Tarek Hassanin mbi një bazë tjetër.
76. Pas kapjes së tij nga trupat britanike herët në mëngjesin e 23 prillit 2003, deri sa ai u dërgua në Kamp Bucca më vonë atë pasdite, Tarek Hassan ndodhej nën pushtetin dhe kontrollin fizik të ushtarëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe prandaj hynte brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar sipas parimeve të renditura në paragrafin 136 të Al-Skeini, të cekur më lart. Qeveria, në vërejtjet e saj, njohu faktin që aty ku agjentët e Shtetit që veprojnë në kushte jashtëterritoriale marrin një individ në paraburgim, kjo është bazë e juridiksionit jashtëterritorial e cila është njohur nga Gjykata. Megjithatë, ajo parashtroi që kjo bazë juridiksioni nuk duhet të zbatohet në fazën e armiqësive aktive të një konflikti të armatosur ndërkombëtar, ku agjentët e Shtetit Kontraktues veprojnë në një territor në të cilin ata nuk janë fuqi pushtuese, dhe ku sjellja e Shtetit përkundrazi do t’i nënshtrohet kritereve të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
77. Gjykatën nuk e bind ky fakt. Al-Skeini gjithashtu kishte të bënte me një periudhë kur e drejta ndërkombëtare humanitare ishte e zbatueshme, pra periudhën kur Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e saj të koalicionit ishin pushtues të Irakut. Pavarësisht nga kjo, në atë çështje Gjykata gjeti që Mbretëria e Bashkuar ushtronte juridiksion sipas nenit 1 të Konventës mbi të afërmit e kërkuesve. Më tej, pranimi i argumentit të Qeverisë në lidhje me këtë pikë do të ishte në papajtueshmëri me praktikën gjyqësore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila është shprehur se e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe e drejta ndërkombëtare humanitare mund të zbatohen paralelisht (shih paragrafët 35-37 lart). Siç ka vërejtur Gjykata në disa raste, Konventa nuk mund të interpretohet në vakum dhe duhet të interpretohet sa më shumë që të jetë e mundur në harmoni me rregullat e tjera të së drejtës ndërkombëtare pjesë e së cilës është ajo vetë(shih, për shembull, Al-Adsani kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 35763/97, § 55, ECHR 2001‑XI). Kjo i zbatohet njësoj si nenit 1 ashtu edhe neneve të tjera të Konventës.
78. Për sa i përket periudhës pasi Tarek Hassan ka hyrë në Kamp Bucca, Qeveria vuri në pah një bazë alternative për përjashtimin e juridiksionit, konkretisht faktin që pranimi i tij në Kamp nënkuptonte transferimin nga paraburgimi i Mbretërisë së Bashkuar në atë nën Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, pavarësisht nga argumentet e shprehura të Qeverisë të bazuara mbi kushtet e MOA dhe nenin 12 të Konventës së Tretë të Gjenevës (shih paragrafët 16, 33 dhe 72 lart), Gjykata është e mendimit që, duke pasur parasysh mënyrën e organizimit në Kamp Bucca, gjatë kësaj periudhe Tarek Hassan vazhdoi të ishte nën autoritetin dhe kontrollin e forcave të Mbretërisë së Bashkuar. Ai u pranua në Kamp si i burgosur i Mbretërisë së Bashkuar. Pak kohë pas ardhjes aty, ai u dërgua në kompleksin e JFIT, i cili kontrollohej tërësisht nga forcat e Mbretërisë së Bashkuar (shih paragrafin 15 lart). Në përputhje me MOA ku parashtroheshin përgjegjësitë e ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në lidhje me individët e paraburgosur në Kamp, Mbretëria e Bashkuar kishte përgjegjësi për klasifikimin e të paraburgosurve të Mbretërisë së Bashkuar sipas Konventës së Tretë dhe të Katërt të Gjenevës dhe për të vendosur nëse ata duhet të liroheshin (shih paragrafin 16 lart). Kjo është ajo që ka ndodhur pas marrjes në pyetje të Tarek Hassanit në kompleksin e JFIT, kur autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar vendosën që ai ishte civil që nuk përbënte kërcënim për sigurinë dhe urdhëruan që ai të lirohej sa më shpejt që të lejonin kushtet praktike. Ndërkohë që është e vërtetë që disa aspekte të caktuara operative lidhur me mbajtjen e Tarek Hassanit në Kamp Bucca iu transferuan forcave të Shteteve të Bashkuara, në mënyrë të veçantë detyrat e shoqërimit të tij për tek dhe nga kompleksi i JFIT dhe ruajtja e tij kudo tjetër në Kamp, Mbretëria e Bashkuar e ruajti autoritetin dhe kontrollin mbi të gjitha aspektet e paraburgimit që kanë të bëjnë me ankesat e kërkuesit sipas nenit 5.
79. Së fundi, Gjykata shënon argumentin e Qeverisë që në momentin kur Tarek Hassan është bërë gati për lirim dhe është dërguar në pjesën e mbajtjes së civilëve, ai nuk ka qenë më i paraburgosur dhe kështu ka qenë jashtë juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, sipas mendimit të Gjykatës, duket e qartë se Tarek Hassan ka vazhduar të jetë nën mbikëqyrjen e personelit të armatosur ushtarak dhe nën autoritetin dhe kontrollin e Mbretërisë së Bashkuar deri në momentin kur është lejuar të dilte nga autobusi që e ka nxjerrë nga kampi.
80. Prandaj, si përfundim, Gjykata gjen që Tarek Hassan ka qenë brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar nga momenti i kapjes së tij nga trupat e Mbretërisë së Bashkuar, në Umm Qasr më 23 prill 2003, deri në lirimin e tij nga autobusi që e ka çuar nga Kamp Bucca deri tek vendi i lirimit, që ka shumë mundësi të jetë Umm Qasr më 2 maj 2003 (shih paragrafin 55 lart).
B. Themelet e ankesave sipas nenit 5 §§ 1, 2, 3 dhe 4
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesi
81. Kërkuesi nuk e pranoi që arrestimi dhe paraburgimi i Tarek Hassanit hynte brenda fazës së luftimeve aktive të një konflikti të armatosur ndërkombëtar, sepse deri më 9 prill 2003 trupat e koalicionit kishin marrë nën kontroll Bagdadin dhe kishin hequr Partinë Ba’ath nga pushteti. Megjithatë, edhe sikur arrestimi dhe paraburgimi i Tarek Hassanit të kishin ndodhur gjatë fazës së luftimeve aktive, kjo nuk do të kishte zhvendosur zbatimin e Konventës. Neni 15 krijonte një fuqi specifike për marrjen e masave që derogojnë nga Konventa deri në një masë të kërkuar rreptësisht nga kushtet e “luftës ose një emergjence publike që kërcënon jetën e një kombi”. Në këtë rast nuk kishte pasur derogim dhe nuk mund të nënkuptohej zhvendosja e të drejtave të Konventës. Ishte me rëndësi të kujtohej konteksti historik në të cilin është hartuar Konventa, pra kushtet pas një konflikti global. Me kujtimin ende të freskët të luftës, hartuesit e drejtuan mendjen e tyre drejt pyetjes nëse të drejtat themelore të Konventës së njohur duhet të zbatoheshin ndryshe në kohë lufte dhe vendosën që ato duhet të zbatoheshin vetëm (i) për aq sa ishte e nevojshme në mënyrë që të trajtonin kërkesat e një lufte ose emergjence publike, (ii) nëse respektoheshin detyrimet e tjera të Shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare dhe (iii) nëse Shteti derogonte formalisht dhe haptas. Rezultati ishte neni 15. Në qoftë se hartuesit do të kishin pasur për qëllim të krijonin një regjim sipas të cilit të drejtat e njeriut do të zhvendoseshin ose rishkruheshin automatikisht në kohë konfliktesh ndërkombëtare, ata do ta kishin bërë një gjë të tillë.
82. Kërkuesi nuk e pranoi që kishte prova të praktikës shtetërore nga Palët e Larta Kontraktuese ku nuk duhet të veprohej në pajtim me Konventën gjatë paraburgimit të luftëtarëve faktikë ose të dyshuar gjatë një konflikti të armatosur ndërkombëtar. Edhe sikur të ishte kështu, nuk kishte prova të ndonjë opinio juris shoqërues. Më tej, edhe sikur të ekzistonin të dyja, funksioni i Gjykatës sipas nenit 19 synonte të siguronte respektimin e Konventës, jo ta zbatonte atë vetën kur Shtetet e kishin zakon ta zbatonin atë. As praktika gjyqësore e Gjykatës, për shembull Varnava dhe të Tjerë kundër Turqisë [GC], nr. 16064/90, nr. 16065/90, nr. 16066/90, nr. 16068/90, nr. 16069/90, nr. 16070/90, nr. 16071/90, nr. 16072/90 dhe nr. 16073/90, § 185, ECHR 2009, nuk i ndihmon argumentet e Qeverisë. Në Varnava Gjykata deklaroi që rregullat relevante të së drejtës ndërkombëtare humanitare i zgjeronin detyrimet mbi Shtetet sipas nenit 2; ajo nuk e mbështeti pohimin që të drejtat themelore automatikisht shkurtoheshin në kohë lufte. E ngërthyer në konceptin e “interpretimit të një dispozite për aq sa është e mundur nën dritën e parimeve të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare” ishte njohja që kishte një gamë të gjerë kuptimesh të mundshme dhe që disa interpretime të propozuara do të dilnin jashtë asaj game. Argumenti i “zhvendosjes” i shtruar nga Qeveria në thelb ishte që të drejtat e Konventës duhet të lexohen sikur të përmbanin një përjashtim të gjerë të “kohës së luftës” çka ato në fakt nuk e përmbanin. Një qasje e tillë nuk u mbështet në Varnava. Së fundi, kërkuesi parashtroi që mbështetja e Qeverisë tek opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Pasojat Ligjore të Ndërtimit të një Muri në Territorin e Pushtuar Palestinez ishte e vështirë për t’u kuptuar, sepse në atë opinion Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shprehimisht gjeti që derogimi ishte i vetmi mjet për zhvendosjen e një dispozite të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (shih paragrafin 36 lart).
83. Gjykata shpesh ka zbatuar Konventën në situata konfliktesh të armatosura dhe ka njohur që në parim ajo nuk zhvendosej (kërkuesi iu referua çështjeve në vijim: Ahmet Özkan dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 21689/93, §§ 85 dhe 319, 6 prill 2004; Varnava dhe të Tjerë kundër Turqisë [GC], nr. 16064/90, nr. 16065/90, nr. 16066/90, nr. 16068/90, nr. 16069/90, nr. 16070/90, nr. 16071/90, nr. 16072/90 dhe nr. 16073/90, § 191, ECHR 2009; Al-Jedda, cituar lart, § 105; Al-Skeini, cituar lart, §§ 164-167). Për më tepër, kjo u mbështet nga opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Pasojat Ligjore të Ndërtimit të një Muri në Territorin e Pushtuar Palestinez, § 106 (shih paragrafin 36 lart). Në parashtrimin e kërkuesit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po njihte në këtë pjesë faktin që mund të kishte disa të drejta që hyjnë brenda fushëveprimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare por tek të cilat nuk shtrihej asnjë konventë e të drejtave të njeriut. Sipas mendimit të kërkuesit, qëndrimi ishte që më së shumti, dispozitat e të drejtës ndërkombëtare humanitare mund ndikojnë në interpretimin e dispozitave të Konventës. Për shembull, ato mund të jenë të rëndësishme gjatë vendosjes së çfarë aktesh kërkohen rreptësisht nga nevojat e situatës për qëllime të derogimit nga neni 2. Në kontekstin e nenit 5, në një rast të përshtatshëm, kjo mund të informojë interpretimin e Gjykatës të “autoritetit ligjor kompetent” dhe “veprës penale” në nenin 5 § 1(c). Megjithatë, nuk ishte e drejtë që neni 5 u zhvendos në rrethana në të cilat u angazhuan Konventat e Gjenevës. Konventa ishte një pakt që synonte mbrojtjen e të drejtave themelore. Dispozitat e saj nuk duhet të shtrembërohen, dhe aq më pak të injorohet tërësisht, për ta bërë jetën më të lehtë për Shtetet të cilat nuk përdornin mekanizmin e Konventës që shprehimisht tregonte se si ata duhet të përputhnin dispozitat e saj me nevojat e luftës.
84. Më tej, kërkuesi diskutoi që, sido që të ishte, Qeveria nuk kishte identifikuar asgjë të cilën forcave të Mbretërisë së Bashkuar u kërkohej të bënin nga Konventat e Gjenevës që do t’i detyronin ata të vepronin në kundërshtim me nenin 5. Lufta e Irakut ishte konflikt i armatosur jo-ndërkombëtar pas rënies së forcave të Sadam Husseinit dhe pushtimit të forcave të koalicionit. E drejta e pakteve ishte në masë të konsiderueshme më pak e zbatueshme në konflikte të armatosura jo-ndërkombëtare sesa në konflikte të armatosura ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare humanitare parashikonte kërkesa minimale mbi Shtetet në situata të konfliktit të armatosur por nuk ofronte fuqi. Në realitet, parashtrimi i Qeverisë që Konventa duhet të “zhvendosej” ishte një përpjekje për të riargumentuar çështjen e juridiksionit nga neni 1 e cila u vendos në Al-Skeini (cituar lart). Sikur qëndrimi i Qeverisë të ishte i saktë, ai do të kishte efektin e privimit të tërësishëm të viktimave të shkeljeve prej çdo zgjidhjeje efektive, meqenëse Konventa e Tretë dhe e Konventa e Katërt e Gjenevës nuk ishin të gjykueshme në rastin e një individi. Një ngushtim i tillë i të drejtave të individëve për sa i përket trajtimit të tyre nga forcat e armatosura të huaja do të ishte joparimor dhe i gabuar.
85. Së fundi, edhe sikur Gjykata të vendoste që neni 5 duhet të interpretohet nën dritën e Konventës së Tretë dhe të Katërt të Gjenevës, Tarek Hassan u arrestua dhe u paraburgos për ta bërë kërkuesin të dorëzohej. Paraburgimi ishte arbitrar, ai nuk hynte brenda asnjërës prej kategorive të ligjshme sipas nenit 5 § 1 dhe nuk ishte as i lejueshëm sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare.
(b) Qeveria
86. Qeveria parashtroi që hartuesit e Konventës nuk kishin për qëllim që një viktimë e pretenduar e veprimeve jashtëterritoriale në fazën aktive të një konflikti të armatosur ndërkombëtar, siç është një i burgosur lufte i mbrojtur nga Konventa e Tretë e Gjenevës, i cili sidoqoftë mund të dëshironte të pretendonte shkelje të nenit 5, do të përfitonte nga mbrojtjet e Konventës. Nuk kishte asgjë që sugjeronte ndonjë qëllim të tillë brenda Konventës ose travaux préparatoires të saj, apo në fakt në tekstin ose në travaux préparatoires të Konventave të Gjenevës të vitit 1949, që do të kishte qenë në qendër të vëmendjes së hartuesve të Konventës si faktor që përcaktonte regjimin ligjor të zbatueshëm. Për më tepër, një qëllim i tillë do të ishte në papajtueshmëri me realitetet praktike të zhvillimit të armiqësive aktive në një konflikt të armatosur ndërkombëtar, dhe gjithashtu me një jurisprudencë të tillë të Konventës për aq sa kishte rëndësi çështja.
87. Argumenti kryesor i Qeverisë ishte që ngjarjet relevante ndodhën jashtë juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar. Përndryshe, sikur Gjykata të gjente që Mbretëria e Bashkuar kishte juridiksion mbi Tarek Hassanin gjatë paraburgimit të tij, Qeveria diskutonte që neni 5 duhet të interpretohej dhe të zbatohej në pajtueshmëri dhe harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Aty ku dispozitat e Konventës i binte të zbatoheshin në kontekstin e një konflikti të armatosur ndërkombëtar, e posaçërisht në fazën aktive të një konflikti të tillë, zbatimi duhet të merrte parasysh të drejtën ndërkombëtare humanitare, e cila zbatohej si lex specialis, dhe mund të vepronte për të modifikuar ose qoftë edhe për të zhvendosur një dispozitë të dhënë të Konventës. Kështu, në Qipro kundër Turqisë, nr. 6780/74 dhe nr. 6950/75, Raporti i Komisionit i 10 korrikut 1076, vëllimi 1, Komisioni nuk e konsideroi të nevojshme t’i adresohej çështjes së shkeljes së nenit 5 ku personat ishin paraburgosur sipas Konventës së Tretë të Gjenevës në kontekstin e marrjes së të burgosurve të luftës. Më tej, kishte qenë qasja e vazhdueshme e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e drejta ndërkombëtare humanitare zbatohej si lex specialis në kontekstin e një konflikti të armatosur ndërkombëtar në rrethanat kur zbatohej edhe një pakt i dhënë i të drejtave të njeriut. Kjo pikëpamje u mbështet nga Raporti i Grupit Studimor të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare në lidhje me “Fragmentimin e të Drejtës Ndërkombëtare” (shih paragrafin 38 lart) dhe nga shkrimtarët akademikë, siç janë autorët e “Doracakut të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare” nga Fleck dhe “Doracaku i të Drejtës Ndërkombëtare të Operacioneve Ushtarake” nga Gill dhe Fleck.
88. Qeveria diskutoi që e drejta për liri sipas nenit 5 të Konventës duhet të shqyrtohej në kontekstin e rëndësisë themelore të kapjes dhe paraburgimit të luftëtarëve faktikë ose të dyshuar në konflikte të armatosura. Nuk mund të ishte, dhe nuk ishte, puna që një Shtet Kontraktues, kur forcat e tij të armatosura ishin të angazhuara në armiqësi aktive në një konflikt të armatosur jashtë territorit të vet, duhet t’u garantonin mbrojtje procedurale nga neni 5 luftëtarëve të armikut të cilët i merrte të burgosur lufte, ose luftëtarëve të dyshuar të armikut të cilët i mbante në pritje të vendimit nëse atyre u takonte një status i tillë. Më tej, për sa i përket çështjes që u ngrit në rastin konkret, i njëjti parim duhet të zbatohej në lidhje me paraburgimin e civilëve aty ku kjo ishte “absolutisht e nevojshme” për shkaqe sigurie, në përputhje me nenin 42 të Konventës së Katërt të Gjenevës (shih paragrafin 33 lart). Në rastin konkret, meqenëse Tarek Hassan ishte kapur dhe fillimisht ishte paraburgosur si luftëtar i dyshuar, neni 5 ishte zhvendosur nga e drejta ndërkombëtare humanitare si lex specialis, ose ishte modifikuar për të inkorporuar ose lejuar kapjen dhe paraburgimin e luftëtarëve faktikë ose të dyshuar në përputhje me Konventën e Tretë dhe/ose të Katërt të Gjenevës, në mënyrë të atillë që të mos kishte shkelje nga Mbretëria e Bashkuar për sa i përket kapjes dhe paraburgimit të Tarek Hassanit.
89. Përndryshe, në qoftë se Gjykata do të gjente që neni 5 zbatohej dhe nuk zhvendosej ose modifikohej në situata konflikti të armatosur, Qeveria parashtroi që lista në nenin 5 § 1 të qëllimeve të lejueshme të paraburgimit u desh të interpretohej në mënyrë të atillë që merrte parasysh dhe ishte në pajtueshmëri me lex specialis të zbatueshëm, pra të drejtën ndërkombëtare humanitare. Marrja e të burgosurve të luftës sipas Konventës së Tretë të Gjenevës, dhe paraburgosja e civilëve në pajtim me Konventën e Katërt të Gjenevës, duhet të ishte kategori e ligjshme e paraburgimit sipas nenit 5 § 1(c). Në këtë kontekst të veçantë, koncepti i “veprës penale” brenda asaj dispozite mund të interpretohej saktë si i atillë që përfshinte pjesëmarrjen si luftëtar armik dhe/ose sfidues i sigurisë së Fuqisë Burgosëse brenda nenit 42 të Konventës së Katërt të Gjenevës. Çështja kyçe për qëllime të nenit 5 § 1 atëherë do të ishte nëse paraburgimi i Tarek Hassanit ishte “paraburgim i ligjshëm” në kontekstin e një konflikti të armatosur ndërkombëtar; Qeveria parashtroi që eventualisht ashtu ishte. Tarek Hassan u has nga forcat britanike si ‘pushkatar’, i armatosur me automatik AK-47, mbi çatinë e një shtëpie që i përkiste një gjenerali të Ushtrisë Al-Quds, ku u gjetën armë zjarri si dhe materiale me vlerë të inteligjencës. Ai u kap si luftëtar i dyshuar dhe forcat britanike kishin të drejtë ligjërisht sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare që ta kapnin dhe ta mbanin të paraburgosur deri sa të përcaktohej përfundimisht statusi i tij.
90. Qeveria njohu faktin që mund të dilnin çështje të vështira për sa i përkiste zbatueshmërisë së nenit 15 në lidhje me një rast të atillë si ky. Në përputhshmëri me praktikën e të gjitha Palëve Kontraktuese të cilat kishin qenë të përfshira në operacione të tilla, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte deroguar; nuk kishte pasur nevojë ta bënte këtë, meqenëse Konventa mund ta lejonte dhe e lejonte paraburgimin në raste të tilla, duke pasur parasysh lex specialis, të drejtën ndërkombëtare humanitare. Përfshirja e nenit 15 të Konventës nuk tregonte në asnjë kuptim që, në kohë lufte ose emergjence publike që kërcënonte jetën e kombit, detyrimet nga Konventa do çdo kohë do të interpretoheshin plotësisht në të njëjtën mënyrë si në kohë paqeje. Çdo argument sipas të cilit, nëse nuk ka pasur derogime nga neni 15, neni 5 duhet të interpretohej dhe zbatohej pavarësisht nga konteksti dhe rregullat e hollësishme të së drejtës ndërkombëtare humanitare që qeverisin paraburgimin e luftëtarëve të dyshuar do të rrezikonte zvogëlimin e mbrojtjeve në dispozicion të luftëtarëve ose civilëve (në fakt, për shkak të derogimeve të shumta nga Shtetet e përfshira). Gjithashtu, do të ishte në papajtueshmëri me një praktikë në dukje universale të Shteteve për sa i përket paraburgimit të luftëtarëve faktikë ose të dyshuar në konflikte të armatosura ndërkombëtare, si dhe me jurisprudencën e Gjykatës dhe atë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e kishte bërë të qartë që zbatimi i të drejtës ndërkombëtare humanitare si lex specialis ishte parim i përgjithshëm, dhe jo parim që varej nga fakti nëse kishte pasur derogim sipas një pakti të zbatueshëm të të drejtave të njeriut.
(c) Pala e tretë
91. Në parashtrimet e palëve të treta të paraqitura në këtë çështje, Qendra e të Drejtave të Njeriut e Universitetit Essex theksoi që, siç ishte shprehur Gjykata në praktikën e saj gjyqësore, Konventa duhet të interpretohej në harmoni me rregullat e tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare, pjesë e të cilave është ajo vetë. Një parim i tillë ishte i dëshirueshëm dhe i nevojshëm, për të shmangur që Shtetet të përballen me detyrime ligjore të papajtueshme dhe rezultate kundërthënëse. Kjo ishte posaçërisht e rëndësishme në lidhje me regjimin e paraburgimit të zbatueshëm në konflikte të armatosura ndërkombëtare, meqenëse ky regjim ishte hartuar posaçërisht për situatën në fjalë dhe meqenëse Konventa e Tretë dhe e Katërt e Gjenevës gëzonin ratifikim universal. Kishte një fjali në vendimin e Gjykatës në çështjen Al-Jedda kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 27021/08, § 107, ECHR 2011, e cila mund të lexohet si e tillë që sugjeron që Gjykata do të merrte parasysh vetëm të drejtën ndërkombëtare humanitare aty ku ajo impononte një detyrim, dhe jo aty ku ajo autorizonte një mënyrë të sjelluri, pra aty ku thuhej: “...Gjykata nuk e gjen të konstatuar që e drejta ndërkombëtare humanitare vendos një detyrim mbi një Fuqi Pushtuese për të përdorur internim të pacaktuar pa gjyq”. Megjithatë, pikëpamja e palës së tretë ishte se, në kontekstin e vendimit, dukej se Gjykata nuk po e shihte të drejtën ndërkombëtare humanitare si e tillë në vetvete por si burim rregullash të mundshme të cilat mund të lexoheshin në kuadër të një rezolute të Këshillit të Sigurimit. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mund të kishte zgjedhur shfrytëzimin e të drejtës ndërkombëtare humanitare si bazë e pavarur për paraburgim por në vend të kësaj zgjodhi që të mbështetej ekskluzivisht tek rezoluta e Këshillit të Sigurimit. Fjalia e cituar nga Al-Jedda nuk tregonte që Gjykata do të merrte parasysh të drejtën ndërkombëtare humanitare vetëm aty ku caktonte detyrim mbi Shtetet.
92. Pala e tretë vuri në pah që, ashtu si shumë aspekte të së drejtës ndërkombëtare të cilat ishin zhvilluar si regjime gjithëpërfshirëse për fusha të veçanta të aktivitetit, e drejta e konfliktit të armatosur dhe e drejta ndërkombëtare humanitare (prej këtu “e drejta ndërkombëtare humanitare”) kishin zhvilluar koherencën dhe të kuptuarit e vet. Prezumimi kyç i nënkuptuar ishte që kjo e drejtë përfaqësonte një ekuilibër mes nevojshmërisë ushtarake dhe konsideratave humanitare. Kjo donte të thoshte që nuk mund të apelohej ndaj nevojshmërisë ushtarake jashtë rregullës së paktit, i cili në vetvete merrte parasysh kërkesat ushtarake. Një parim i dytë i nënkuptuar ishte që kjo fushë e të drejtës nuk bazohej mbi të drejtat por mbi detyrimet e palëve në konflikt. Së treti, rregullat e zbatueshme për një individ vareshin nga statusi i tij si anëtar i një grupi, për shembull një luftëtar ose një civil. Së katërti, ndërkohë që shpesh bëhej referencë drejt “parimeve” të së drejtës ndërkombëtare humanitare, vetë parimet nuk ishin rregulla ligjore; rregullat duhet të gjendeshin në dispozitat e paktit që përfaqësonte artikulimin e atyre parimeve në formë ligjërisht të detyrueshme. Pra, ishte e qartë se koherenca e brendshme e të drejtës ndërkombëtare humanitare ishte në masë të madhe e ndryshme nga ajo e të drejtës së të drejtave të njeriut.
93. Në lidhje me marrëdhëniet mes fushave të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare, ajo mes të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut nuk ishte e vetmja që ishte problematike, por ajo kishte marrë më së shumti vëmendje. Për shkak të kushteve të përcaktuara shprehimisht të disa pakteve të të drejtave të njeriut, ata vazhdonin të zbatoheshin në situata “luftë ose emergjence tjetër publike”, ndërsa rregullat e konflikteve të armatosura ndërkombëtare zbatoheshin kurdo që kishte konflikt të armatosur mes dy ose më shumë Shteteve, përfshirë situatat kur një Shtet pushtonte pjesërisht ose tërësisht territorin e një tjetri. Kjo donte të thoshte që disa pakte të të drejtave të njeriut mbeteshin të zbatueshme, mundësisht në mënyrë të modifikuar, në rrethana ku e drejta e konfliktit të armatosur ishte gjithashtu e zbatueshme. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i ishte adresuar kësaj marrëdhënieje në tre raste (shih paragrafët 35-37 lart). Disa elemente dilnin të qarta nga kjo praktikë gjyqësore. Së pari, zbatueshmëria e të drejtës ndërkombëtare humanitare nuk zhvendoste juridiksionin e një organi të të drejtave të njeriut. Kjo rezultonte nga gjetja që e drejta e të drejtave të njeriut mbetej e zbatueshme në të gjitha rrethanat. Së dyti, aty ku e drejta ndërkombëtare humanitare ishte e zbatueshme, një organ i të drejtave të njeriut kishte dy zgjedhje. Ose duhet të zbatonte të drejtën e të drejtave të njeriut përmes prizmit të të drejtës ndërkombëtare humanitare, ose duhet të kombinonte të drejtën e të drejtave të njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare së bashku. Ky ishte interpretimi i vetëm i mundshëm për faktin që disa çështje të caktuara i nënshtroheshin të dy llojeve të rregullave, ndërsa disa të tjera rregulloheshin nga e drejta ndërkombëtare humanitare. Referenca ndaj lex specialis ishte e padobishme, çka mund të shpjegojë faktin që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk e përmendi në vendimin e Congo (shih paragrafin 37 lart). Përdorimi i këtij termi më shumë e kishte turbulluar debatin sesa kishte ofruar sqarime.
94. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte ofruar me sa duket udhëzime kundërthënëse në lidhje me çështjen e nevojshmërisë së derogimit para se një Shtet të mund të mbështetej tek e drejta ndërkombëtare humanitare. Në qoftë se baza për përdorimin sado të paktë të së drejtës ndërkombëtare humanitare ishte që organet e të drejtave të njeriut duhet të merrnin parasysh fushat e tjera të së drejtës ndërkombëtare, të cilat mund të mendohet se tregojnë drejt përdorimit të saj nëse një Shtet kishte deroguar apo jo dhe nëse kishte përdorur të drejtën ndërkombëtare humanitare. Nga ana tjetër, aty ku Shteti nuk kishte bërë asnjërën nga këto, organi i të drejtave të njeriut mund të dëshironte t’i referohej zbatueshmërisë së të drejtës ndërkombëtare humanitare, duke thënë ndërkohë që Shteti kishte zgjedhur të gjykohej nga standardi më i lartë i të drejtës së të drejtave të njeriut në kohë paqeje, megjithëse një qasje e tillë mund të rrezikonte të dukej e shkëputur nga realiteti. Aty ku Shteti nuk kishte deroguar por ishte mbështetur në të drejtën ndërkombëtare humanitare, do t’i takonte organit të të drejtave të njeriut që ose të merrte parasysh të drejtën ndërkombëtare humanitare ose të ngulte këmbë që e vetmja mënyrë e modifikimit të detyrimeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut ishte me anë të derogimit.
95. Për sa i përket ndërveprimit mes dy regjimeve, nuk mund të kishte një rregullë të vetme të zbatueshme. Çdo situatë kishte gjasa të kërkonte që elementet e të dy llojeve të të drejtave të funksiononin së bashku, por ekuilibri dhe ndërveprimi varionin. Rrjedhimisht, mund të ketë situata, siç është paraburgimi i të burgosurve të luftës, në të cilat kombinimi i kritereve shpinte në përfundimin që e drejta ndërkombëtare humanitare do të kishte më shumë peshë, dhe përcaktimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut lidhur me çështje si baza dhe shqyrtimi i paraburgimit do të bazoheshin mbi rregullat relevante të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Megjithatë, edhe në kontekste të tilla, e drejta e të drejtave të njeriut nuk do t’i nënshtrohej në mënyrë absolute të drejtës ndërkombëtare humanitare. Për shembull, po të kishte pretendime për keqtrajtim, e drejta e të drejtave të njeriut sërish do të ndihmonte në përcaktimin e çështjeve të tilla siç janë specifikat e veprimeve që përbënin shkelje. Nga këndvështrimi i organit të të drejtave të njeriut, do të ishte e favorshme të përdorej e drejta e të drejtave të njeriut si hap i parë drejt identifikimit të çështjeve që duhen adresuar, për shembull, periodiciteti i shqyrtimit të ligjshmërisë së paraburgimit, qasja ndaj informacioneve lidhur me arsyet e paraburgimit, ndihma ligjore para mekanizmit të shqyrtimit. Hapi i dytë do të ishte ndërmarrja e një analize kontekstuale duke përdorur si të drejtën ndërkombëtare humanitare ashtu edhe të drejtën e të drejtave të njeriut, nën dritën e rrethanave të çështjes në fjalë. Me kusht që organi i të drejtave të njeriut ta prezantojë analizën e vet me koherencë dhe qartësi të mjaftueshme, vendimet e gjeneruara do t’u ofronin udhërrëfim si Shteteve ashtu edhe forcave të armatosura para veprimeve të ardhshme. Nuk ka nevojë të përmendet që qasjet dhe rezultati do të duhet të ishin në gjendje të zbatoheshin në praktikë në situatat e konfliktit të armatosur.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme që duhen zbatuar
96. Neni 5 § 1 i Konventës paraqet rregullën që “[s]ecili ka të drejtën për lirinë dhe sigurinë e personit” dhe që “[a]skujt nuk mund t’i hiqet liria e vet” përveç rasteve të cekura në nën-paragrafët (a) deri në (f).
97. Ka kohë që është përcaktuar që lista e bazave të paraburgimit të lejueshëm në nenin 5 § 1 nuk përfshin internimin ose paraburgimin parandalues aty ku nuk ekziston qëllimi i ngritjes së akuzave penale brenda një kohe të arsyeshme (shih Lawless kundër Irlandës (nr. 3), 1 korrik 1961, §§ 13 dhe 14, Seria A nr. 3; Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, § 196, Seria A nr. 25; Guzzardi kundër Italisë, 6 nëntor 1980, § 102, Seria A nr. 39; Jėčius kundër Lituanisë, nr. 34578/97, §§ 47-52, ECHR 2000-IX; dhe Al‑Jedda, cituar lart, § 100). Më tej, Gjykata konsideron që ka dallime të rëndësishme konteksti dhe qëllimi mes arrestimeve të kryera në kohë paqeje dhe arrestimit të një luftëtari gjatë një konflikti të armatosur. Ajo nuk është e mendimit që paraburgimi sipas pushteteve të ofruara nga Konventa e Tretë dhe Konventa e Katërt e Gjenevës është në harmoni me ndonjë prej kategorive të përcaktuara në nën-paragrafët (a) deri në (f). Megjithëse neni 5 § 1(c) në shikim të parë mund të duket si dispozita më relevante, nuk është e nevojshme të ketë korrelacion mes internimit për arsye sigurie dhe dyshimit për kryerjen e një vepre ose rrezikut të kryerjes së një vepre penale. Për sa u përket luftëtarëve të mbajtur si të burgosur lufte, meqenëse kjo kategori personash gëzon privilegj luftëtari, çka u lejon të marrin pjesë në armiqësi pa pësuar sanksione penale, nuk do të ishte e udhës që Gjykata të vendoste që kjo formë e paraburgimit hyn brenda fushëveprimit të nenit 5 § 1(c).
98. Përveç kësaj, neni 5 § 2 kërkon që çdo i paraburgosur duhet të informohet si duhet në lidhje me arsyet e arrestimit të tij dhe neni 5 § 4 kërkon që çdo i paraburgosur ka të drejtë të besojë se procedurat do ta vendosin ligjshmërinë e paraburgimit të tij me shpejtësi nga një gjykatë. Neni 15 i Konventës parashikon që “[n]ë kohë lufte ose emergjence tjetër publike që kërcënon jetën e një kombi”, Shteti Kontraktues mund të marrë masa që derogojnë nga disa prej detyrimeve të tij sipas Konventës, përfshirë nenin 5. Në rastin konkret, Mbretëria e Bashkuar nuk pati për qëllim të derogonte sipas nenit 15 prej ndonjërit nga detyrimet e saj sipas nenit 5.
99. Ky ishte rasti i parë në të cilin një Shtet përgjegjës i ka kërkuar Gjykatës që të mos zbatojë detyrimet e tij nga neni 5 ose në njëfarë mënyre t’i interpretojë ato nën dritën e fuqive të paraburgimit që ka në dispozicion sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare. Në mënyrë të veçantë, në Al-Jedda, cituar lart, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk diskutoi që neni 5 ishte modifikuar apo zhvendosur nga fuqitë e paraburgimit të parashikuara nga Konventa e Tretë dhe e Katërt e Gjenevës. Përkundrazi, ajo argumentoi që Mbretëria e Bashkuar kishte detyrimin nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për ta vendosur një të paraburgosur në internim dhe që, për shkak të nenit 103 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ky detyrim duhet të kishte superioritet ndaj detyrimeve të Mbretërisë së Bashkuar sipas Konventës. Argumenti i Qeverisë ishte që detyrimi për të internuar kërkuesin dilte nga teksti i Rezolutës 1546 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe letrat e aneksuara dhe gjithashtu për shkak se Rezoluta kishte efektin e ruajtjes së detyrimeve të vendosura mbi fuqitë pushtuese sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, posaçërisht neni 43 i Rregulloreve të Hagës (shih Al-Jedda, cituar lart, § 107). Gjykata gjeti që një detyrim i tillë nuk dilte. Vetëm para Komisionit, në Qipro kundër Turqisë, nr. 6780/74 dhe nr. 6950/75, Raporti i Komisionit i 10 korrikut 1976, vëllimi 1, ndodhi që doli një pyetje e ngjashme me atë të çështjes në fjalë, pra nëse ishte në pajtueshmëri me detyrimet nga neni 5 i Konventës që të paraburgosej një person sipas Konventës së Tretë dhe të Katërt të Gjenevës në mungesë të një derogimi të vlefshëm sipas nenit 15 të Konventës. Në raportin e tij, Komisioni refuzoi të shqyrtonte shkeljet e mundshme të nenit 5 në lidhje me të paraburgosurit të cilëve u ishte dhënë statusi i të burgosurit të luftës, dhe mori parasysh faktin që si Qipro ashtu edhe Turqia ishin palë në Konventën e Tretë të Gjenevës (shih § 313 të Raportit). Deri më tani, Gjykata nuk e ka pasur mundësinë të shqyrtojë qasjen e Komisionit dhe ta vendosë vetë një çështje të tillë.
100. Pika fillestare për shqyrtimin e Gjykatës duhet të jetë praktika e saj e vazhdueshme e interpretimit të Konventës nën dritën e rregullave të nxjerra nga Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve më 23 maj 1969 (shih Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, vendimi i 21 shkurtit 1975, Seria A nr. 18, § 29, dhe shumë çështje të mëvonshme). Neni 31 i Konventës së Vjenës, i cili përmban “rregullën e përgjithshme të interpretimit” (shih paragrafin 34 lart), parashikon në paragrafin 3 që, së bashku me kontekstin, duhet të merren parasysh (a) të gjitha marrëveshjet pasuese mes palëve në lidhje me interpretimin e traktatit ose zbatimin e dispozitave të tij; (b) të gjitha praktikat vijuese në zbatimin e traktatit të cilat rrënjosin marrëveshjen e palëve lidhur me interpretimin e tij; dhe (c) të gjitha rregullat relevante të së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme në marrëdhëniet mes palëve.
101. Nuk ka pasur marrëveshje pasuese mes Palëve të Larta Kontraktuese për sa i përket interpretimit të nenit 5 në situata të konfliktit të armatosur ndërkombëtar. Megjithatë, për sa i përket kriterit të përcaktuar në nenin 1 § 3(b) të Konventës së Vjenës (shih paragrafin 34 lart), Gjykata ka deklaruar më parë që një praktikë e vazhdueshme nga ana e Palëve të Larta Kontraktuese, pas ratifikimit të Konventës prej tyre, mund të merrej si e tillë që e përforconte marrëveshjen e tyre jo vetëm për sa i përket interpretimit por edhe modifikimit të tekstit të Konventës (shih, mutatis mutandis, Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, §§ 102-103, Seria A nr. 161 dhe Al-Saadoon dhe Mufdhi kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 61498/08, § 120, ECHR 2010). Praktika e Palëve të Larta Kontraktuese është që të mos derogojnë prej detyrimeve të tyre nga neni 5 në mënyrë që të paraburgosin njerëz mbi bazën e Konventës së Tretë dhe të Katërt të Gjenevës gjatë konflikteve të armatosura ndërkombëtare. Siç përmendi Gjykata në Banković dhe të Tjerë kundër Belgjikës dhe të Tjerëve (dec.) [GC], nr. 52207/99, § 62, ECHR 2001‑XII, megjithëse ka pasur disa misione ushtarake ku përfshiheshin Shtete Kontraktuese që vepronin në kushte jashtëterritoriale që prej ratifikimit të Konventës nga ana e tyre, asnjë Shtet nuk ka bërë derogim sipas nenit 15 të Konventës për sa u përket këtyre aktiviteteve. Derogimet që janë paraqitur në lidhje me nenin 5 kanë pasur të bëjnë me fuqitë shtesë të paraburgimit të cilat Shtetet pretendonin të ishin bërë të nevojshme si rezultat i konflikteve të armatosura ose kërcënimeve terroriste ndaj Shtetit Kontraktues (shih, për shembull, Brannigan dhe McBride kundër Mbretërisë së Bashkuar, 26 maj 1993, Seria A nr. 258‑B; Aksoy kundër Turqisë, 18 dhjetor 1996, Raporte të Vendimeve 1996-VI; dhe A. dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 3455/05, ECHR 2009; shih gjithashtu paragrafët 40-41 lart). Më tej, duket se praktika e mos paraqitjes së derogimeve sipas nenit 15 të Konventës në lidhje me paraburgimin sipas Konventës së Tretë dhe të Katërt të Gjenevës gjatë konflikteve të armatosura ndërkombëtare pasqyrohet nga praktika shtetërore në lidhje me Paktin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave Civile dhe Politike. Në mënyrë të ngjashme, megjithëse shumë Shtete kanë internuar persona në kontekstin e konflikteve të armatosura ndërkombëtare pas ratifikimit të Konventës, asnjë Shtet nuk ka deroguar shprehimisht sipas nenit 4 të Paktit në lidhje me paraburgime të tilla (shih paragrafin 42 lart), edhe pas opinioneve dhe vendimit të referuar më lart, ku Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka bërë të qartë që detyrimet e Shteteve në kuadër të instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në të cilat ato ishin palë vazhdonin të zbatoheshin në situata të konflikteve të armatosura ndërkombëtare (shih paragrafët 35-37 lart).
102. Duke iu kthyer kriterit që përmban neni 31 § 3(c) i Konventës së Vjenës (shih paragrafin 34 lart), Gjykata e ka bërë të qartë shumë herë që Konventa duhet të interpretohet në harmoni me rregullat e tjera të së drejtës ndërkombëtare pjesë e të cilave është ajo (shih paragrafin 77 lart). Kjo zbatohet njësoj edhe në të drejtën ndërkombëtare humanitare. Katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949, të cilat synonin të zbusnin tmerret e luftës, u hartuan paralelisht me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe gëzojnë ratifikim universal. Dispozitat e Konventës së Tretë dhe Konventës së Katërt të Gjenevës në lidhje me internimin, çështje konkrete në kërkesën në fjalë, u hartuan me qëllim që të mbronin luftëtarët e kapur dhe civilët që përbënin kërcënim për sigurinë. Gjykata është shprehur më parë që neni 2 i Konventës duhet “të interpretohet sa më shumë që të jetë e mundur nën dritën e parimeve të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare të cilat luajnë rol të domosdoshëm dhe universalisht të pranuar në lehtësimin e egërsisë dhe çnjerëzimit të konfliktit të armatosur (shih Varnava dhe të Tjerë kundër Turqisë [GC], nr. 16064/90, nr. 16065/90, nr. 16066/90, nr. 16068/90, nr. 16069/90, nr. 16070/90, nr. 16071/90, nr. 16072/90 dhe nr. 16073/90, § 185, ECHR 2009), dhe konsideron që këto vërejtje zbatohen njësoj në marrëdhënie me nenin 5. Më tej, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është shprehur që mbrojtja e ofruar nga konventat e të drejtave të njeriut dhe ajo e ofruar nga e drejta ndërkombëtare humanitare bashkekzistojnë në situata konfliktesh të armatosura (shih paragrafët 35-37 lart). Në vendimin e saj Aktivitetet e Armatosura mbi Territorin e Kongos, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërejti, duke iu referuar opinionit të saj këshillues në lidhje me Pasojat Ligjore të Ndërtimit të një Muri në Territorin e Pushtuar Palestinez, që “[p]ër sa i përket marrëdhënies mes të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës së të drejtave të njeriut, ka tri situata të mundshme: disa të drejta mund të jetë ekskluzivisht çështje të së drejtës ndërkombëtare humanitare; disa të drejta të tjera mund të jenë ekskluzivisht çështje të së drejtës së të drejtave të njeriut; e megjithatë disa të drejta të tjera mund të jenë çështje të të dyja këtyre degëve të së drejtës ndërkombëtare” (shih paragrafët 36 dhe 37 lart). Gjykata duhet të përpiqet ta interpretojë dhe zbatojë Konventën në mënyrë të atillë që të jetë në përputhshmëri me kornizën sipas të drejtës ndërkombëtare të ravijëzuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
103. Duke pasur parasysh konsideratat e lartpërmendura, Gjykata e pranon argumentin e Qeverisë që mungesa e derogimit formal sipas nenit 15 nuk e ndalon Gjykatën nga marrja parasysh e kontekstit dhe dispozitave të së drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë interpretimit dhe zbatimit të nenit 5 në këtë çështje.
104. Pavarësisht nga kjo, dhe në përputhshmëri me praktikën gjyqësore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykata konsideron që, edhe në situata të konfliktit të armatosur ndërkombëtar, mbrojtjet nga Konventa vazhdojnë të zbatohen, sado që interpretohen brenda kuadrit të dispozitave të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Për shkak të bashkekzistencës së mbrojtjeve të ofruara nga e drejta ndërkombëtare humanitare dhe nga Konventa në kohë konflikti të armatosur, bazat e heqjes së lejuar të lirisë të përcaktuara në nën-paragrafët (a) deri në (f) të asaj dispozite duhet të gjejnë vend, aq sa është e mundur, tek marrja e të burgosurve të luftës dhe paraburgimi i civilëve që paraqesin kërcënim për sigurinë sipas Konventës së Tretë dhe të Katërt të Gjenevës. Gjykata është e vëmendshme ndaj faktit që internimi në kohë paqeje nuk hyn brenda skemës së heqjes së lirisë e cila qeveriset nga neni 5 i Konventës pa ushtrimin e fuqisë së derogimit sipas nenit 15 (shih paragrafin 97 lart). Vetëm në raste të konfliktit të armatosur ndërkombëtar, ku marrja e të burgosurve të luftës dhe paraburgimi i civilëve që paraqesin kërcënim për sigurinë janë tipare të pranuara të së drejtës ndërkombëtare humanitare, neni 5 mund të interpretohet si i tillë që lejon ushtrimin e fuqive të tilla kaq të gjera.
105. Ashtu si bazat e paraburgimit të lejuar tashmë të paraqitur në ato nën-paragrafë, heqja e lirisë nën fuqitë sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare duhet të jetë “e ligjshme” për të përjashtuar shkeljen e nenit 5 § 1. Kjo do të thotë që paraburgimi duhet të jetë në përputhje me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe, më së rëndësishmi, që ai duhet të mbahet në përputhje me qëllimin themelor të nenit 5 § 1, i cili është të mbrohet individi nga arbitrariteti (shih, për shembull, Kurt kundër Turqisë, 25 maj 1998, § 122, Raporte të Vendimeve 1998‑III; El-Masri, cituar lart, § 230; shih gjithashtu Saadi kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13229/03, §§ 67-74, ECHR 2008, dhe çështjet e cituara aty).
106. Për sa u përket mbrojtjeve procedurale, Gjykata konsideron që, në lidhje me të ndodhurit e paraburgimit gjatë një konflikti të armatosur ndërkombëtar, neni 5 §§ 2 dhe 4 gjithashtu duhet të interpretohen në një mënyrë të atillë që merr parasysh kontekstin dhe rregullat e zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Nenet 43 dhe 78 të Konventës së Katërt të Gjenevës parashikojnë që internimi “duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit periodik, nëse është e mundur çdo gjashtë muaj, nga një organ kompetent”. Ndërkohë që mund të mos jetë e praktikueshme, gjatë një konflikti të armatosur ndërkombëtar, që ligjshmëria e paraburgimit të përcaktohet nga një “gjykatë” e pavarur në kuptimin përgjithësisht të kërkuar nga neni 5 § 4 (shih, në kontekst të mëtejmë, Reinprecht kundër Austrisë, nr. 67175/01, § 31, ECHR 2005‑XII), megjithatë, në qoftë se Shteti Kontraktues duhet të veprojë në pajtim me detyrimet e tij nga neni 5 § 4 në këtë kontekst, “organi kompetent” duhet të ofrojë garanci të mjaftueshme për paanshmëri dhe procedurë të drejtë si mbrojtje ndaj arbitraritetit. Për më tepër, shqyrtimi i parë duhet të ndodhë pak kohë pasi personi merret në paraburgim, dhe shqyrtimet e mëpasme të zhvillohen në intervale kohore të shpeshta, për të siguruar që çdo person që nuk hyn në njërën prej kategorive që kanë të bëjnë me internimin sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare të lirohet pa vonesa të panevojshme. Edhe pse kërkuesi më tej mbështetet tek neni 5 § 3, Gjykata konsideron që kjo dispozite nuk gjen zbatim në këtë çështje sepse Tarek Hassan nuk u paraburgos në përputhje me dispozitat e paragrafit 1(c) të nenit 5.
107. Së fundi, megjithëse, për arsyet e shpjeguara më lart, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme paraqitjen e një derogimi formal, dispozitat e nenit 5 do të interpretohen dhe zbatohen nën dritën e dispozitave përkatëse të së drejtës ndërkombëtare humanitare vetëm aty ku kjo kërkohet në mënyrë specifike nga Shteti përgjegjës. Nuk i takon Gjykatës të supozojë që një Shtet synon të modifikojë zotimet që ka marrë përsipër duke ratifikuar Konventën në mungesë të treguesve të qartë për atë qëllim.
(b) Zbatimi i këtyre parimeve tek faktet e çështjes
108. Pika fillestare e Gjykatës është të vërejë se gjatë periudhës në fjalë në Irak, të gjitha palët e përfshira kanë qenë Palë të Larta Kontraktuese të të Katër Konventave të Gjenevës, të cilat zbatohen në situata të konflikteve të armatosura ndërkombëtare dhe gjatë pushtimit të pjesshëm ose të tërësishëm të territorit të një Pale të Lartë Kontraktuese (shih nenin 2, i përbashkët për të katër Konventat e Gjenevës, të përmendur në paragrafin 33 lart). Prandaj, është e qartë që, pavarësisht nëse situata në Irakun Juglindor nga fundi i prillit dhe fillimi i majit 2003 karakterizohet si pushtim apo si konflikt i armatosur ndërkombëtar aktiv, katër Konventat e Gjenevës ishin të zbatueshme.
109. Gjykata i referohet gjetjeve të faktit të cilat i ka bërë pas analizimit të tëra provave në dispozicion (shih paragrafët 47-57 lart). Në mënyrë të veçantë, ajo deklaroi që Tarek Hassan u gjet nga trupat britanike, i armatosur dhe mbi çatinë e shtëpisë së vëllait të tij, ku u gjetën edhe armë të tjera dhe dokumente me vlerë të inteligjencës ushtarake (shih paragrafët 51-54 lart). Gjykata konsideron që, në këto rrethana, autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kishin arsye të besonin se ai mund të ishte ose person që mund të paraburgosej si i burgosur lufte ose person internimi i të cilit ishte i nevojshëm për arsye të domosdoshme sigurie, ku të dyja ofronin bazë legjitime për kapje dhe paraburgim (shih nenet 4A dhe 21 të Konventës së Tretë të Gjenevës dhe nenet 42 dhe 78 të Konventës së Katërt të Gjenevës, të gjitha të përmendura në paragrafin 33 lart). Pothuaj menjëherë pas pranimit të tij në Kamp Bucca, Tarek Hassan iu nënshtrua një procesi të shqyrtimit në formën e dy intervistave nga zyrtarët e inteligjencës ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, çka shpuri drejt vendimit për lirimin e tij meqenëse u konstatua që ai ishte civil që nuk paraqiste kërcënim për sigurinë (shih paragrafët 21-24 lart). Gjykata gjithashtu gjeti që provat tregojnë se ai është liruar fizikisht nga Kampi pak kohë pas kësaj (shih paragrafët 55-56 lart).
110. Në këto kushte, duket se kapja dhe paraburgimi i Tarek Hassanit ka qenë në përputhje me fuqitë që ka pasur Mbretëria e Bashkuar sipas Konventës së Tretë dhe Konventës së Katërt të Gjenevës, dhe nuk kanë qenë arbitrare. Më tej, duke pasur parasysh vendimin për lirimin e tij dhe lirimin e tij fizik brenda pak ditësh pas sjelljes në Kamp, është e panevojshme që Gjykata të shqyrtojë nëse procesi i shqyrtimit të tij përbënte mbrojtjen e duhur kundër paraburgimit arbitrar. Së fundi, duket nga konteksti dhe pyetjet që iu drejtuan Tarek Hassanit gjatë dy intervistave shqyrtuese që arsyeja e paraburgimit të tij ka qenë e dukshme për të.
111. Nga analiza e mësipërme rrjedh që Gjykata nuk gjen shkelje të nenit 5 §§ 1, 2, 3 ose 4 në rrethanat e çështjes në fjalë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
1. I deklaron, njëzëri, ankesat sipas neneve 2 dhe 3 të Konventës të papranueshme;
2. Vendos, njëzëri, që vëllai i kërkuesit ka qenë brenda juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar në periudhën mes kohës së arrestimit të tij dhe kohës së lirimit të tij nga autobusi që e ka marrë nga Kamp Bucca;
3. I deklaron, njëzëri, ankesat sipas nenit 5 §§ 1, 2, 3 dhe 4 të Konventës të pranueshme;
4. Vendos, me trembëdhjetë vota pro dhe katër vota kundër, që nuk ka pasur shkelje të nenit 5 §§ 1, 2, 3 ose 4 të Konventës.
I bërë në anglisht dhe frëngjisht dhe i shpallur në seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 16 shtator 2014, në pajtim me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Michael O’Boyle Dean Spielmann
ZëvendëskancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e ndara të Gjyqtarit Spano, të cilit iu bashkuan Gjyqtarët Nicolaou, Bianku dhe Kalaydjieva, ndodhen në shtojcë të këtij vendimi.
D.S.
M.O’B.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] R – angl. ‘release’, shq. ‘lirim’ (shën. i përkth.)
[2] TQ – angl. ‘tactical questioning’ (shën. i përkth.)
[3] BL – i burgosur lufte (angl. POW, prisoner of war) (shën. i përkth.)
Full & Egal Universal Law Academy