Helhal kundër Francës - 10401/12 Vendim 19.2.2015 (Seksioni V) Faktet – Kërkuesi, i cili qysh nga viti 2006 është i sëmurë paraplegjik në gjymtyrët e poshtme dhe nga inkontinenca e dyfishtë, tashmë po vuan një dënim tridhjetë-vjeçar me heqje lirie. Në gusht të vitit 2010, ai bëri kërkesë tek gjyqtari përgjegjës për ekzekutimin e vendimeve për pezullimin e dënimit të tij për arsye mjekësore. Ai u ankua që mjediset e burgut nuk ishin të përshtatshme për paaftësinë e tij, ku si rezultat ai jo vetëm nuk mund të lëvizte me karrige me rrota, por ai duhej edhe të ndihmohej për të bërë dush nga një i burgosur tjetër i caktuar atij për këtë qëllim, dhe se fizioterapia që ai merrte nuk ishte e përshtatshme. Në shkurt të vitit 2011, gjykata përgjegjëse për ekzekutimin e vendimeve e refuzoi kërkesën e tij, duke marrë parasysh edhe dy ekspertiza mjekësore pohuese, që gjendja shëndetësore e kërkuesit e duronte burgimin. Megjithatë, gjykata vuri re që ai burg nuk ishte i përshtatshëm për nevojat e të burgosurit dhe që ekzistonin institucione të tjera që do të ishin të pajisura më mirë për ta sistemuar atë. Ankimet e paraqitura nga kërkuesi ndaj vendimit u refuzuan. Ligji – Neni 3. Meqenëse kërkuesi kishte një paaftësi që e detyronte atë në një masë të madhe të përdorte karrigen me rrota – megjithëse ai ndonjëherë mund të ecte me ndihmën e shkopinjve ose një strukture ndihmëse – ankesat e tij u shqyrtuan në dritën e parimeve që rregullojnë detyrimin e Shtetit të tregonte kujdes për individët me paaftësi, duke patur parasysh pamundësinë e tyre kur bëhej fjalë për të kaluar vështirësitë e ndali- mit. Në lidhje me cilësinë e kujdesit të dhënë kërkuesit gjatë ndalimit, dhe veçanërisht çështjen nëse autoritetet vendase kishin bërë gjithçka që mund të pritej normalisht prej tyre për t’i ofruar atij një trajtim rehabilitues që i duhej atij dhe t’i jepej atij një mundësi përmirësimi të gjendjes së tij, asnjë lloj fizioterapie nuk i ishte dhënë në burg në tre vite. Gjatë gjithë asaj periudhe, asnjë masë specifike nuk ishte marrë dhe asnjë përpjekje nuk ishte bërë që ti mundësohej kërkuesit të merrte seanca fizioterapie të përshtatura me gjendjen e tij, megjithë rekomandimet e vazhdueshme të mjekut që ai ishte trajtuar në një kontekst të specializuar. Qëndrimi i kërkuesit, i cili kishte hezituar të kërkonte një transferim për shkak të distancës me familjen e tij, nuk ishte i mjaftueshëm për të justifikuar mosveprimin e autoriteteve të burgut dhe kujdesit shëndetësor. Në lidhje me kushtet e ndalimit dhe aksesin tek mjediset sanitare, dhe veçanërisht dushet, kërkuesi nuk ishte në gjendje të shkonte tek këto mjedise pa ndihmë, meqenëse ato nuk ishin brenda qelisë, dhe nuk mund të shkohej me karrige me rrota. Për më tepër, në lidhje me gjendjen e kërkuesit, i burgosuri që ishte caktuar për ta ndihmuar atë me detyrat e përditshme duhej ta ndihmonte të lahej, një situatë e cila konsiderohej e papranueshme nga Inspektori i Përgjithshëm i Burgjeve. Megjithëse legjislatori kishte parashikuar në vitin 2009 që të gjithë të burgosurit me paaftësi të caktonin një kujdestar sipas zgjedhjes së tyre, një masë e tillë - megjithëse në rastin konkret mendohej që kriteret përkatëse të ishin përmbushur – nuk ishte e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e kërkuesit, i cili e kishte bërjen e dushit të vështirë për shkak të inkontinencës së tij, mungesës së privatësisë dhe faktit që një i burgosur tjetër kishte detyrën për ta ndihmuar atë. Kjo ndihmë nuk jepej si shtesë ndaj kujdesit të dhënë nga profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe i burgosuri i caktuar për të ndihmuar kërkuesin nuk kishte marrë trajnimin e kërkuar për të ndihmuar një person që vuan nga paaftësia. Në këtë kontekst, Gjykata kishte konstatuar në shumë raste që atje ku jepej ndihmë, edhe në mënyrë të vullnetshme, nga një i burgosur tjetër, kjo nuk do të thoshte që nevojat e veçanta të kërkuesit ishin përmbushur ose që Shteti kishte përmbushur detyrimet e tij në këtë aspekt sipas Nenit 3 të Konventës. Përfundimisht, ndërsa vazhdimi i mbajtjes së kërkuesit të ndaluar nuk ishte në papajtueshmëri me Nenin 3 të Konventës, autoritetet vendase nuk i kishin ofruar atij ndihmën e kërkuar për ta mbrojtur atë nga trajtimi në kundërshtim me atë dispozitë. Në lidhje me paaftësinë e tij të rëndë dhe faktin që ai ishte me inkontinencë të dyfishtë, afati kohor që ai kishte kaluar i ndaluar pa asnjë trajtim rehabilitues, në një institucion ku ai mund të bëjë dush vetëm me ndihmën e një të burgosuri tjetër, e kishte vendosur kërkuesin në një vështirësi që e kalon nivelin e paevitueshëm të vuajtjes shpirtërore gjatë ndalimit. Ato rrethana sillnin si pasojë trajtimin poshtërues në shkelje të Nenit 3. Fakti që nuk ka patur asgjë që mund të tregonte që autoritetet kishin vepruar me synimin e poshtërimit ose uljes së kërkuesit nuk ka asnjë efekt në ndryshimin e atij konstatimi. Përfundimi: shkelje (njëzëri) Neni 41: 7.000 Euro në lidhje me dëmin jo-financiar.
Full & Egal Universal Law Academy