Høiness kundër Norvegjisë - A.nr. 43624/14 Vendimi 19.3.2019 (Seksioni II) Fakte – Kërkuesja ishte një avokate e mirënjohur në Norvegji. Në vijim të artikujve në gazetë në lidhje me marrëdhëniet e saj me një të ve të moshuar nga i cili ajo do të trashëgonte, një portal online i lajmeve hapi një linjë diskutimi mbi këtë temë. Forumi mund të aksesohej nëpërmjet gazetës online. Pasuan, inter alia, komente vulgare dhe seksiste në lidhje me kërkuesen. Komentet u fshinë pas njoftimit, me iniciativën e vetë moderatorëve. Pas procedimit të pasuksesshëm të brendshëm, kërkuesja u ankua në Gjykatë që kishte një shkelje të së drejtës së saj për respektimin e jetës private. Ligji – Neni 8 Çështja ishte nëse Shteti kishte gjetur një balancë të drejtë ndërmjet së drejtës së kërkueses për respektimin e jetës së saj private sipas Nenit 8 dhe agjencisë online të lajmeve dhe të drejtës së shprehjes së forumit pritës të garantuar nga Neni 10. Nuk ishte e nevojshme të shqyrtohej me thellësi natyra e komenteve të debatuara, pasi ato në asnjë mënyrë nuk përbënin gjuhë urrejtjeje ose nxitje për dhunë. Nuk kishte shkak për të kundërshtuar pretendimin e kërkueses që ajo do të përballej me pengesa të konsiderueshme në përpjekje për të ndjekur pretendimet e saj kundër individëve anonimë ose individëve që kishin shkruar komentet. Në lidhje me kontekstin në të cilin ishin bërë komentet, Gjykata vuri re që portali i lajmeve ishte i madh dhe i menaxhuar në mënyrë komerciale dhe që forumet e debatit ishin popullorë. Megjithatë, nuk dilte nga vendimet e gjykatave të brendshme që forumet e debatit ishin tepër të integruara në prezantimin e lajmeve dhe në këtë mënyrë mund të merreshin si vazhdim i artikujve editorialë. Në lidhje me masat e marra nga portali i lajmeve, dukej se ekzistonte një sistem i mirë-vendosur moderatorësh që monitoronin përmbajtjen. Lexuesit mund të klikonin tek butonat e ‘paralajmërimit’ në faqen e internetit me qëllim që të reagonin ndaj komenteve. Dukej se një përgjigje ndaj paralajmërimeve mund të jepej edhe nëpërmjet mjeteve të tjera, siç është e-maili. Dy nga komentet e kundërshtuara nuk ishin marrë nga moderatorët, por trembëdhjetë minuta pasi ata ishin njoftuar për shqetësimet, përfaqësuesi i kërkueses mori një e-mail që shprehej se komentet ishin fshirë. Një koment tjetër ishte fshirë me iniciativën e vetë moderatorëve. Pas një shqyrtimi të përgjithshëm dhe vlerësimi të masave që ishin marrë me qëllim që të monitoroheshin komentet e forumit dhe përgjigjet specifike ndaj njoftimeve të kërkueses, gjykatat e brendshme kishin konstatuar që shoqëria e portalit të lajmeve dhe editori i saj kishin vepruar përkatësisht. Çështja e kërkueses ishte konsideruar në themel nga dy shkallë të gjyqësorit në nivelin e brendshëm para se Gjykata e Lartë të refuzonte lejimin e ankimit. Gjykatat e brendshme kishin rishikuar aspektet përkatëse të çështjes dhe kishin vepruar brenda marzhit të vlerësimit të tyre në përpjekje për të vendosur një balancë të drejtë ndërmjet të drejtave të kërkueses dhe atyre të portalit të lajmeve dhe pritësve të forumeve të debatit. Gjykata vuri re shumën e konsiderueshme të shpenzimeve gjyqësore të vendosura për kërkuesen. Megjithatë, duke patur parasysh natyrën e pretendimit të ngritur para gjykatave të brendshme dhe objektin, ajo nuk ishte e mendimit që ajo duhej të vinte në pikëpyetje vlerësimin e gjykatave të brendshme në lidhje me caktimin e shpenzimeve. Përfundim: nuk ka shkelje (njëzëri) (Shih gjithashtu Del i AS kundër Estonisë (DHM), 64569/09, 16 qershor 2015, Shënim Informativ 186; Magyar Tartalomszolgáltatók Egyesülete dhe Index.hu Zrt kundër Hungarisë, 22947/13, 2 shkurt 2016, Shënim Informativ 193; dhe Pihl kundër Suedisë (dec.), 74742/14, 7 shkurt 2017, Shënim Informativ 205)
Full & Egal Universal Law Academy