HIRSI JAMAA DHE TË TJERË kundër ITALISË
(kërkesa nr. 27765/09)
23 shkurt 2012
Dhomë e Madhe
kthimi i emigrantëve në Libi pa shqyrtuar çështjen e tyre, i ekspozonte ata ndaj rrezikut të keqtrajtimit dhe përbënte dëbim kolektiv
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesit ishin 11 somalez dhe 13 shtetas nga Eritrea.
2. Ata ishin pjesë e një grupi me rreth 200 persona, të cilët ishin larguar nga Libia në vitin 2009 për në Itali, me tre anije. Më 6 maj 2009, kur anijet ishin 35 milje në jug të Lampedusa (Agrigento), brenda juridiksionit të kontrollit detar dhe të shpëtimit të Maltës, ata ishin kapur nga autoritetet doganore italiane dhe rojet bregdetare. Pasagjerët u transferuan në anijet ushtarake italiane dhe u dërguan në Tripoli. Kërkuesit deklaruan se gjatë udhëtimit autoritetet italiane nuk i kishin bërë me dije se për ku ishin nisur dhe as nuk kishin kontrolluar identitetet e tyre. Pas një udhëtimi 10 orësh arritën në Tripoli, ku u dorëzuan tek autoritetet libiane.
3. Në një konferencë shtypi, në 7 maj 2009, Ministri italian i Punëve të Brendshme deklaroi se lokalizimi i anijeve në det të hapur dhe kthimi i emigrantëve në Libi ka qenë në përputhje me marrëveshjet bilaterale me Libinë që kishin hyrë në fuqi më 4 shkurt 2009, duke shënuar një pikë të rëndësishme kthese në luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Kjo politikë dekurajonte bandat kriminale, të përfshira në kontrabandimin dhe trafikimin e njerëzve, ndihmonte në shpëtimin e jetëve në det dhe reduktonte ndjeshëm ardhjen e emigrantëve klandestinë në bregdetin italian. Gjatë vitit 2009 Italia kreu nëntë operacione në det të hapur për të kapur emigrantë klandestinë, në përputhje me marrëveshjet dypalëshe të lidhura me Libinë. Më 26 shkurt 2011 Ministri i Mbrojtjes italian deklaroi se marrëveshjet dypalëshe me Libinë u pezulluan pas ngjarjeve në Libi.
4. Sipas informacione të dorëzuara në Gjykatë nga përfaqësuesit e kërkuesve, në kohën e gjykimit, dy prej kërkuesve kishin vdekur në rrethana të panjohura. Ndërmjet qershorit dhe tetorit 2009, katërmbëdhjetë prej kërkuesve u ishte dhënë statusi i refugjatit nga zyra e Komisionerit të Lartë të OKB për Refugjatët (ZKLKBR) në Tripoli. Pas revolucionit në Libi, në shkurt të vitit 2011, kontakti ndërmjet kërkuesve dhe përfaqësuesve të tyre u vështirësua. Në atë kohë, avokatët ishin në kontakt me gjashtë nga kërkuesit, katër prej të cilëve jetonin në Benin, Maltë dhe Zvicër dhe disa prej të cilëve ishin ende në pritje të përgjigjes së kërkesës së tyre për mbrojtje ndërkombëtare. Njëri prej kërkuesve ishte në një kamp refugjatësh në Tunizi dhe planifikonte të kthehej në Itali. Në qershor të vitit 2011 njëri nga kërkuesit mori statusin e refugjatit në Itali, pasi ishte kthyer atje në mënyrë klandestine.
II. Vendimi i Gjykatës
5. Duke u bazuar në nenin 3, kërkuesit pretenduan se vendimi i autoriteteve italiane për t’i kthyer në Libi i kishte ekspozuar ndaj rrezikut të keqtrajtimit atje, si dhe rrezikut të keqtrajtimit në vendet e origjinës (Somali dhe Eritrea), nëse vendosej kthimi i tyre në këto vende. Gjithashtu, ata pretenduan se ndaj tyre ishte zbatuar dëbimi kolektiv, i ndaluar nga neni 4 i Protokollit nr. 4. Së fundmi, bazuar në nenin 13, ata u ankuan se nuk kishin pasur asnjë mjet ligjor efektiv në dispozicion në Itali, kundër shkeljeve të pretenduara të nenit 3 dhe nenit 4 të Protokollit 4.
A. Në lidhje me nenin 1
6. Gjykata përsëriti parimin e të drejtës ndërkombëtare, sanksionuar në Kodin Detar italian, se një anije që lundron në det të hapur ishte subjekt i juridiksionit ekskluziv të shtetit, flamurin e të cilit ajo mbante. Gjykata nuk mund ta pranonte përshkrimin që i bëri qeveria italiane operacionit si një "operacion shpëtimi në det të hapur" apo pretendimin se kishte ushtruar kontroll gjoja minimal mbi kërkuesit. Ngjarjet kishin ndodhur tërësisht në bordin e anijeve të forcave të armatosura italiane, ekipet e së cilës përbëheshin vetëm nga personeli ushtarak italian. Në periudhën midis hipjes në anijet italiane dhe dorëzimit tek autoritetet libiane, kërkuesin kishin qenë, në mënyrë të vazhdueshme dhe ekskluzivisht, nën kontrollin e autoriteteve italiane, de jure dhe de facto. Rrjedhimisht, në përputhje me rrethanat në fjalë, ngjarjet që kishin çuar në shkeljet e pretenduara, binin brenda juridiksionit të Italisë në kuptimin e nenit 1.
B. Në lidhje me nenin 3
i. Rreziku i keqtrajtimit në Libi
7. Gjykata ishte në dijeni të presionit me të cilin Shtetet po përballeshin si pasojë e rritjes së fluksit të emigrantëve, i cili ishte një fenomen veçanërisht kompleks kur ardhjet e emigrantëve ishin nga deti, por megjithatë kjo nuk i përjashtonte Shtetet nga detyrimi i tyre për të mos kthyer personat të cilët rrezikojnë t’i nënshtrohen trajtimit të ndaluar sipas nenit 3 në vendin pritës. Duke vënë në dukje se situata në Libi ishte përkeqësuar pas prillit të 2010, Gjykata vendosi të kufizojë shqyrtimin e çështjes në gjendjen që mbizotëronte në Libi në atë kohë. Ajo vuri në dukje se konkluzionet shqetësuese të organizatave të shumta, në lidhje me trajtimin e emigrantëve klandestine, ishin konfirmuar nga një raport i Komitetit për Parandalimin e Torturës (KPT) i vitit 2010. Emigrantët e parregullt dhe azilkërkuesit, ndërmjet të cilëve nuk bëhej asnjë dallim, arrestoheshin në mënyrë sistematike dhe mbaheshin të ndaluar në kushte të përshkruara si jonjerëzore nga vëzhguesit, të cilët kishin raportuar, ndër të tjera, raste të torturës. Emigrantët klandestinë rrezikonin në mënyrë të vazhdueshme të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës dhe, nëse arrinin të rifitonin lirinë e tyre, jetonin në kushte veçanërisht të pasigurta dhe të ekspozuar ndaj akteve raciste. Italia nuk mund t’i shmangej përgjegjësisë së saj sipas Konventës, duke iu referuar detyrimeve të saj të mëvonshme që rridhnin nga marrëveshjet dypalëshe me Libinë. Më tej, Gjykata vuri në dukje, se zyra e ZKLKBR-së në Tripoli nuk njihej nga qeveria libiane. Kjo situatë, në atë kohë, ishte e njohur dhe lehtësisht e verifikueshme. Prandaj, Gjykata konkludoi se kur kërkuesit ishin transferuar, autoritetet italiane kishin dijeni ose duhej të kishin dijeni se kërkuesin rrezikonin të trajtoheshin në shkelje të Konventës.
8. Për më tepër, fakti se kërkuesit nuk kishin kërkuar azil shprehimisht, nuk e përjashtonte Italinë nga përgjegjësia e saj. Gjykata përsëriti detyrimet e Shteteve, që rridhnin nga e drejta ndërkombëtare, duke përfshirë edhe "parimin e moskthimit" sanksionuar edhe në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian.
9. Gjykata arriti në përfundimin se autoritetet italiane, pavarësisht se kishin dijeni të plotë të fakteve, duke transferuar kërkuesit në Libi, i kishin ekspozuar ata ndaj trajtimit, në shkelje të Konventës. Gjykata vendosi se kishte pasur shkelje të nenit 3.
ii. Rreziku i keqtrajtimit në vendin e origjinës të kërkuesve
10. Largimi i indirekt i një të huaji nuk bënte përgjegjës Shtetin që e largonte mjafton që ky Shtet të sigurohej se vendi ndërmjetës ofronte garanci të mjaftueshme kundër kthimit arbitrar, veçanërisht kur ky Shtet nuk ishte palë në Konventë. Në rastin në fjalë, Gjykata duhet të përcaktonte nëse këto garanci ishin dhënë.
11. Të gjitha informacionet që posedonte Gjykata, tregonin, prima facie, se gjendja e pasigurisë ishte e përhapur në Somali dhe në Eritrea; individët i nënshtroheshin akteve të dhunës dhe mbaheshin të ndaluar në kushte çnjerëzore, thjesht sepse ishin larguar nga vendi në mënyrë të pa ligjshme. Për këtë arsye, kërkuesit pretenduan se riatdhesimi i tyre do të shkelte nenin 3 të Konventës. Gjykata vërejti se Libia nuk e kishte ratifikuar Konventën e Gjenevës dhe vuri në dukje mungesën e çdo forme të procedurës së azilit dhe mbrojtjes së refugjatëve në vend. Kështu, Gjykata nuk mund të pranonte argumentin e Qeverisë se aktivitetet e ZKLKBR-së në Tripoli përfaqësonin një garanci kundër riatdhesimit arbitrar të kërkuesve. Për më tepër, Human Rights Watch dhe ZKLKBR-ja kishin denoncuar disa raste të kthimit të detyruar të azilkërkuesve dhe refugjatëve në vende me rrezik të lartë. Fakti që disa nga kërkuesit kishin marrë statusin e refugjatit në Libi, jo vetëm që nuk garantonte sigurinë e tyre por, përkundrazi, rriste vulnerabilitetin e tyre.
12. Gjykata arriti në përfundimin se, kur kishin bërë transferimin e kërkuesve në Libi, autoritetet italiane kishin pasur dijeni ose duhet të kishin dijeni se nuk kishte garanci të mjaftueshme që i mbronte ata nga rreziku i dëbimit në mënyrë arbitrare në vendet e tyre të origjinës. Kështu, transferimi shkelte nenin 3.
C. Në lidhje me nenin 4 të Protokollit 4
13. Gjykata vuri re se, deri në momentin e shqyrtimit të kësaj çështjeje, ajo kishte konstatuar vetëm një herë shkelje të nenit 4 të Protokollit nr. 4, dhe konkretisht në rastin Čonka k. Belgjikës[1]. Në rastin konkret transferimi i kërkuesve në Libi ishte kryer pa shqyrtuar secilin rast individualisht. Autoritetet italiane, nuk kishin kryer asnjë procedurë për identifikimin e kërkuesve, por thjesht i kishin marrë kërkuesit në bordin e anijes së tyre për t’i zbarkuar në Libi. Gjykata arriti në përfundimin se dëbimi i kërkuesve ka qenë i një natyre kolektive, në shkelje të nenit 4 të Protokollit 4.
D. Në lidhje me nenin 13 i marrë në lidhje me nenin 3 dhe nenin 4 të Protokollit 4
14. Qeveria italiane pranoi se nuk kishte qenë e mundur vlerësimi i rrethanat personale të kërkuesve në bordin e anijeve ushtarake. Kërkuesit pretenduan se, personeli ushtarak i anijes nuk i kishte dhënë asnjë informacion se për ku ishin nisur, duke i bërë të besonin se ishin nisur për në Itali dhe as i kishin informuar në lidhje me procedurën që duhet të ndiqnin për të mos u kthyer në Libi. Ky version i ngjarjeve, edhe pse kundërshtohej nga Qeveria, ishte vërtetuar nga një sërë dëshmish të mbledhura nga ZKLKBR, KPT-së dhe Human Rights Watch. Kështu, kërkuesit e kishin pasur të pamundur për të paraqitur ankesat e tyre, në bazë të nenit 3 të Konventës dhe të nenit 4 të Protokollit nr. 4, tek një autoritet kompetent, i cili të shqyrtonte plotësisht dhe rigorozisht këto ankesa, para se të dëboheshin. Edhe në qoftë se ekzistonte një mjet ankimor në bazë të ligjit penal që kërkuesit të mund ta përdornin në praktikë kundër personelit ushtarak në bordin e anijeve, ky nuk përmbushte kriterin e efektit pezullues. Gjykata përsëriti detyrimin e Shteteve, sipas nenit 13, për vënien në dispozicion të një mjeti ankimor me efekt pezullues të një mase të marrë, kur kjo masë ishte në kundërshtim me Konventën dhe kishte efekte potencialisht të pariparueshme. Gjykata arriti në përfundimin se kishte pasur shkelje të nenit 13, i marrë në lidhje me nenin 3 dhe nenit 4 të Protokollit 4.
E. Në lidhje me nenin 41
15. Gjykata vendosi që Italia t’i paguante secilit kërkues 15 000 euro në lidhje me dëmin jo material dhe 1 575.74 euro të gjithë kërkuesve së bashku, në lidhje me kostot dhe shpenzimet.
[1] Čonka k. Belgjikës, vendim i 5 shkurtit 2002, nr. 51564/99.
Full & Egal Universal Law Academy