© Këshilli i Europës/Gjykata e të drejtave të njeriut, 2012.
Ky përkthim është kryer me mbështetjen e Fondit të besimit për të drejtat e njeriut të Këshillit të Europës (/humanrightstrustfund). Ai nuk krijon detyrim për Gjykatën. Për më shumë informacion, të shihen treguesit e copyright/të drejtat e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
AFFAIRE HIRSI JAMAA dhe të tjerë kundër ITALISË
(Kërkesa no 27765/09)
VENDIM
STRASBURG
23 shkurt 2012
Ky vendim është përfundimtar. Ai mund të pësojë përmirsime në formë.
Në çështjen Hirsi Jamaa dhe të tjerë kundër Italisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila mblidhet në një Dhomë të Madhe të përbërë nga :
Nicolas Bratza, kryetar,
Jean-Paul Costa,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Nina Vajić,
Dean Spielmann,
Peer Lorenzen,
Ljiljana Mijović,
Dragoljub Popović,
Giorgio Malinverni,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Nona Tsotsoria,
Işıl Karakaş,
Kristina Pardalos,
Guido Raimondi,
Vincent A. de Gaetano,
Paulo Pinto de Albuquerque, gjykatës,
et de Michael O’Boyle, ndihmës sekretar,
Pasi kanë diskutuar në dhomën e këshillimit në 22 qershor 2011 dhe 19 janar 2012,
Jep vendimin e mëposhtëm, të marë në datën e fundit :
PROCEDURA
1. Në origjinë të çështjes gjendet një kërkesë (no 27765/09) e drejtuar kundër Republikës italiane nga njëmbëdhjetë shtetas somalezë dhe trembëdhjetë shtetas nga Eritrea (kërkuesit) emrat dhe datëlindjet e të cilëve figurojnë në listën shtesë të këtij vendimi në Gjykatën Evropiane në 26 maj 2009 sipas nenit 34 të Konventës së mbrojtjes së të Drejtave dhe të Lirive Themelore të Njeriut (« Konventa »).
2. Kërkuesit përfaqësohen nga zotërinjtë A.G. Lana dhe A. Saccucci, avokatë në Romë. Qeveria italiane (« Qeveria ») përfaqësohet nga punonjësja e saj Znj E. Spatafora, dhe nga bashkëpunëtoja e saj Znj. S. Coppari.
3. Kërkuesit pretendojnë veçanërisht se transferimi i tyre drejt Libisë nga autoritetet italiane përbënte shkelje të nenit 3 të Konventës dhe të nenit 4 të Protokollit no 4, dhe denoncojnë mungesën e një ankimi sipas nenit 13 të Konventës, që do t’u kishte lejuar të shtronin për shqyrtim ankesat e lartpërmendura.
4. Kërkesa i është dhënë seksionit të dytë të Gjykatës (neni 52 § 1 i rregullores së Gjykatës). Në 17 nëntor 2009, një dhomë e këtij seksioni ka vendosur t’ia komunikojë kërkesën Qeverisë. Në 15 shkurt 2011, një dhomë e përbërë nga gjyqtarët në vijim Françoise Tulkens, kryetare, Ireneu Cabral Barreto, Dragoljub Popović, Nona Tsotsoria, Isil Karakas, Kristina Pardalos, Guido Raimondi, si dhe Stanley Naismith, sekretar i seksionit, ka hequr dorë në dobi të Dhomës së Madhe, meqë asnjë nga palët nuk e ka kundërshtuar këtë (neni 30 i Konventës dhe neni 72 i rregullores).
5. Përbërja e Dhomës së Madhe është vednosur në përputhje me nenet 27 §§ 2 et 3 të Konventës dhe 24 të rregullores.
6. Siç e lejon neni 29 § 1 i Konventës, është vendosur se Dhoma e Madhe do të shprehej mbi pranueshmërinë dhe themelin e kërkesës.
7. Si kërkuesit ashtu edhe Qeveria kanë depozituar vërejtjet me shkrim mbi themelin e çështjes. Në seancë, secila nga palët i është përgjigjur vërejtjeve të tjetrës (neni 44 § 5 i rregullores). Vërejtjet me shkrim janë marrë gjithashtu nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët (HCR), nga Human Rights Watch, nga Columbia Law School Human Rights Clinic, nga Qendra e këshillimit mbi të drejtat e njeriut në Evropë (Qendra AIRE), nga Amnesty International si dhe nga Federata Ndërkombëtare e ligave të të drejtave të njeriut (FIDH), që veprojnë kolektivisht. Kryetari i dhomës i kishte autorizuar të ndërhynin sipas nenit 36 § 2 të Konventës. Vërejtjet janë marrë gjithastu nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut (HCDH), të cilin kryetari i gjykatës e ka autorizuar të ndërhyjë. HCR-ja për më tepër ka qenë i autorizuar të marrë pjesë në procedurë orale.
8. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, në 22 qershor (neni 59 § 3 i rregullores).
Dolën para Gjykatës :
– për Qeverinë
Znj.S. Coppari,bashkë-agjent i Shtetit
Z.G. Albenzio,avokat i Shtetit ;
– për kërkuesit
Z.A.G. Lana,
Z.A. Saccucci,këshilltarë,
Znj. A. Sironi,këshilltare ;
– për Komisariatin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët, palë e tretë ndërhyrëse
Znj. M. Garlick, kryetar i njësisë për politikën e përgjithshme
dhe mbështetjen juridike, Zyra për Evropën, këshilltar ;
M.C. Wouters, këshilltar kryesor për të drejtën e refugjatëve
Departamenti i mbrojtjes kombëtare,
Z. S. Boutruche, këshilltar juridik i njësisë për ndihmë politike dhe juridike, Zyra për Evropën, këshilltarë.
Gjykata ka dëgjuar Znj Coppari, Z. Albenzio, avokaten Lana, avokaten Saccucci dhe Znj Garlick në deklarimet e tyre si dhe përgjigjet e tyre dhënë pyetjeve të bëra prej saj.
REFEREMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E RASTIT
A. Kapja dhe dërgimi i kërkuesve në Libi
9. Kërkuesit, njëmbëdhjetë shtetas somalezë dhe trembëdhjetë shtetas eritreas bëjnë pjesë në një grup me rreth dy qind personash që lanë Libinë duke hipur në tre barka me qëllim që të arrinin në brigjet italiane.
10. Në 6 maj 2009, ndërsa barkat gjendeshin 35 milje detare në jug të Lampeduzës (Agrigente) d.m.th. brenda zonës detare të kërkimit dhe të shpëtimit (« zona e përgjegjësisë SAR ») që është kompetencë e Maltës, ata u zbuluan nga tre anije të policisë financiare dhe nga rojet bregdetare italiane.
11. Njerëzit e kapur në barka u transferuan në anijet ushtarake italiane dhe u kthyen mbrapsht në Tripoli. Kërkuesit pohojnë se gjatë udhëtimit autoritetet italiane nuk i kanë informuar për destinacionin e tyre të vërtetë dhe nuk kanë kryer asnjë procedurë identifikimi. Të gjitha sendet e tyre personale, përfshi këtu edhe dokumentet që vërtetojnë identitetin e tyre, u konfiskuan nga ushtarakët.
12. Sapo mbërritën në portin e Tripolit, pas dhjetë orësh udhëtim emigrantët iu dorëzuan autoriteteve libiane. Sipas versionit të fakteve të paraqitura nga kërkuesit, këta të fundit e kundërshtuan dorëzimin e tyre te autoritetet libiane, por i detyruan me forcë të dilnin nga anijet italiane.
13. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur në 7 maj 2009, ministri i brendshëm i Italisë deklaroi se operacionet e kapjes së barkave në det të hapur dhe kthimi i emigrantëve në Libi ishte rezultat i hyrjes në fuqi, në 4 shkurt 2009, të marrëveshjeve dypalëshe të lidhura me Libinë, dhe përbënin një kthesë të rëndësishme në luftën kundër imigrimit klandestin. Në 25 maj 2009, gjatë një ndërhyrjeje para Senatit, ministri tregoi se, nga 6 deri në 10 maj 2009, më shumë se 471 emigrantë klandestinë ishin kapur në det të hapur dhe ishin dërguar drejt Libisë në përputhje me marrëveshjet dypalëshe. Pasi kishte shpjeguar se operacionet ishin drejtuar në zbatim të parimit të bashkëpunimit midis shteteve, ministri tha se politka e kthimit mbrapsht përbënte një mjet shumë efikas në luftën kundër emigrimit klandestin. Kjo politikë i shkurajonte organizatat kriminale të lidhura me trafkimin e paligjshëm dhe trafikimin e personave dhe kontribuonte në shpëtimin e jetëve njërëzore në det si dhe pakësonte ndjeshëm zbarkimet e klandestinëve në brigjet italiane, zbarkime që në maj 2009 kishin qenë pesë herë më shumë se në maj të vitit 2008, sipas ministrit të brendshëm.
14. Gjatë vitit 2009, Italia praktikoi nëntë kapje klandestinësh në det të hapur në përputhje me marrëveshjet dypalëshe me Libinë.
B. Fati i kërkuesve dhe kontaktet e tyre me përfaqësuesit.
15. Sipas informacioneve të transmetuara në Gjykatë nga përfaqësuesit e kërkuesve, dy prej tyre, Z. Mohamed Abukar Mohamed dhe Z. Hasan Shariff Abbirahman (respektivisht no 10 dhe no 11 në listën shtesë të këtij vendimit), vdiqën pas këtyre ngjarjeve në rrethana të panjohura.
16. Pas paraqitjes së kërkesës, avokatët kanë mundur të ruajnë kontaktet me kërkuesit e tjerë. Këta të fundit janë të arritshëm me telefon ose me postë elektronike.
Midis qershorit dhe tetorit 2009, katërmbëdhjetë midis tyre (që figurojnë në listë) e kanë marrë statusin e refugjatit nga zyra e HCR së Tripolit.
17. Pas revoltës që ka shpërthyer në Libi në shkurt 2011 dhe që ka shtyrë një numër të madh personash të ikin nga vendi, cilësia e kontakteve midis kërkuesve dhe përfaqësuesve të tyre është prishur. Avokatët aktualisht janë në kontakt me gjashtë kërkues :
– Z. Ermias Berhane (no 20 në listë) ka mundur të arrijë në mënyrë klandestine brigjet italiane. Në 21 qershor 2011, Komisioni territorial i Krotonë i ka dhënë atij statusin e refugjatit ;
– Z. Habtom Tsegay (no 19 në listë) gjendet aktualisht në kampin e Choucha-s, në Tunizi. Ai ka ndër mend të shkojë në Itali;
– Z. Kiflom Tesfazion Kidan (no 24 në listë ) jeton në Maltë ;
– Z. Hayelom Mogos Kidane dhe Z.Waldu Habtemchael (respektivisht no 23 dhe no 13 në listë ) jetojnë në Zvicër ku po presin një përgjigje për kërkesën e tyre për mbrojtje ndërkombëtare;
– Z. Roberl Abzighi Yohannes (no 21 në listë) jeton në Bénin.
II. E DREJTA E BRENDSHME PËRKATËSE
Kodi i lundrimit
18. Neni 4 i kodit të lundrimit i 30 marsit 1942, i ndryshuar në vitin 2002, lexohet kështu :
« Anijet italiane në det të hapur si dhe avionët që gjenden në një hapësirë që nuk është nën sovranitetin e një shteti konsiderohen si të jenë territor italian ».
B Marrëveshjet dypalëshe midis Italisë dhe Libisë
19. Në 29 dhjetor 2007, Italia dhe Libia nënshkruan në Tripoli një mrrëveshje dypalëshe bashkëpunimi për luftën kundër emigrimit klandestin. Po atë ditë, dy vendet nënshkruan gjithashtu protokollin shtesë që cakton modalitetet operacionale dhe teknike të zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Neni 2 i marrëveshjes është formuluar kështu :
[Përkthim i sekretarisë]
« Italia dhe Jamahiriya e Madhe [arabe libiane popullore socialiste ] angazhohen të organizojnë patrullimet detare me anë të gjashtë anijeve të vëna në dispozicion, përkohësisht, nga Italia. Në bordin e anijeve do të ketë ekuipazh mikst, të përbërë nga personeli libian dhe nga policë italianë me qëllim trajnimin, formimin dhe asistencën teknike për përdorimin dhe mirëmbajtjen e anijeve. Operacionet e kontrollit, kërkimit dhe shpëtimit do të drejtohen në vendet e nisjes dhe të tranzitit të mjeteve detare të destinuara për transportin e emigrantëve klandestinë, si në ujërat territoriale të Libisë ashtu edhe në ujërat ndërkombëtare, për respektimin e konventave ndërkombëtare në fuqi dhe sipas modaliteteve operacionale që do të përcaktohen nga autoritetet kompetente të të dy vendeve. »
Madje, Italia zotohet t’i japë Libisë, për një periudhë prej tre vjetësh, tri anije pa flamur (neni 3 i marrëveshjes) dhe të promovojë pranë organeve të Bashkimit Evropian (BE) përfundimin e një marrëveshjeje kuadër midis BE dhe Libisë (neni 4 i marrëveshjes).
Së fundi, sipas nenit 7 të marrëveshjes dypalëshe, Libia angazhohej të « koordinonte përpjekjet e saj me ato të vendit të origjinës për të zvogëluar emigrimin klandestin dhe për riatdhesimin e emigrantëve ».
Në 4 shkurt 2009, Italia dhe Libia nënshkruan në Tripoli një Protokoll shtesë që synon të forcojë bashkëpunimin dypalësh me qëllim luftën kundër emigrimit klandestin. Ky Protokoll i fundit ndryshonte pjesërisht marrëveshjen e 29 dhjetorit 2007, veçanërisht me futjen e një neni të ri të formuluar kështu :
[përkthim i sekretarisë]
« Dy vendet angazhohen të organizojnë patrullime në det me ekipe të përbashkëta të përbëra nga personnel italian dhe personnel libian, të barabartë në numër, përvojë dhe kompetencë. Patrullat operojnë në ujërat libiane dhe ndërkombëtare nën mbikqyrjen e personelit libian dhe me pjesëmarrjen e ekuipazhit italian dhe në ujërat italiane dhe ndërkombëtare nën mbikqyrjen e personelit italian me pjesëmarrjen e personelit libian.
Pronësia e anijeve të ofruara nga Italia i kalon përfundimisht Libisë sipas nenit 3 të marrëveshjes së 29 dhjetorit 2007.
Dy vendet angazhohen t’i riatdhesojnë emigrantët klandestinë dhe të lidhin marrëveshje me vendet e origjinës për të kufizuar fenomenin e emigrimit klandestin ».
20. Në 30 gusht 2008 Italia dhe Libia nënshkruan në Bengazi Traktatin e miqësisë, partneritetit dhe bashkëpunimit që parashikon në nenin e tij 19 përpjekjet për parandalimin e fenomenit të emigracionit klandestin në vendet e origjinës dhe flukset migratore. Sipas nenit 6 të këtij traktati, Italia dhe Libia angazhohen të veprojnë në pajtim me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
21. Sipas një deklarate të Ministrit italian të Mbrojtjes, në datën 26 shkurt 2011, zbatimi i marrëveshjeve midis Italisë dhe Libisë është ndërprerë si pasojë e ngjarjeve të vitit 2011.
III. ELEMENTE PËRKATËSE TË TË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË DREJTËS EVROPIANE
A. Konventa e Gjenevës lidhur me statusin e refugjatëve (1951)
22. Italia është palë në Konventën e Gjenevës së vitit 1951 lidhur me statusin e refugjatëve (« Konventa e Gjenevës ») që përcakton modalitetet sipas të cilave një shtet duhet t’i japë statusin e refugjatit personave që e kërkojnë si dhe të drejtat dhe detyrat e këtyre personave. Nenet 1 dhe 33 § të kësaj Konvente dekreton :
Neni 1
« Për qëllime të kësaj Konvente, termi « refugjat » do të përdoret për çdo person (...) i cili (...) duke u druajtur me arsye se mos persekutohet për shkak të racës, fesë, kombësisë, përkatësisë së tij në një grupim të caktuar shoqëror ose për opinionet e tij politike, gjendet jashtë vendit të tij prej të cilit ka kombësinë dhe nuk mundet për shkak të kësaj frike ose nuk dëshiron të kërkojë mbrojtjen e këtij vendi; ose që, nëse nuk ka kombësi dhe gjendet jashtë vendit në të cilin kishte qëndrimin e tij të zakonshëm pas ngjarjeve të tilla, nuk mundet ose për shkak të frikës nuk dëshiron të kthehet aty.»
Neni 33 § 1
« Asnjë nga shtetet kontraktuese nuk do të përzëjë ose nuk do të dëbojë, në çfarëdo mënyre qoftë, një refugjat në kufijtë e territorit ku jeta dhe liria e tij do të kërcënoheshin për shkak të racës, fesë, kombësisë, përkatësisë në një grup të caktuar shoqëror, ose për opinionet e tij politike ».
23. Në shënimin e tij për mbrojtjen ndërkombëtare të 13 shtatorit 2001, A/AC.96/951, § 16) HCR, që ka për detyrë të kujdeset për mënyrën se si shtetet palë e zbatojnë Konventën e Gjenevës, ka treguar se parimi i shprehur në nenin 33, për « mosdëbimin është :
« një parim kardinal mbrojtjeje që nuk toleron asnjë rezervë. Nga shumë drejtime, ky parim është plotësim logjik i të drejtës për të kërkuar azil i njohur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Kjo e drejtë ka arritur të konsiderohet si një rregull i të drejtës ndërkombëtare zakonore që lidh shtetet. Përvec kësaj, e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut e ka përcaktuar mosdëbimin si një element themelor të ndalimit absolut të torturës dhe të trajtimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese. Detyrimi për të mos dëbuar zbatohet gjithashtu për refugjatë pavarësisht nga pranimi i tyre zyrtar, çka përfshin qartas azilkërkuesit statusi I të cilëve nuk është përcaktuar ende. Pra ai mbulon çdo masë që mund t’i mvishet një shteti si rezultat i së cilës një azilkërkues ose një refugjat dëbohet drejt kufijve të territorit ku jeta ose liria e tij do të kërcënoheshin dhe ku ai do të rrezikonte të persekutohej. Kjo përfshin mospranimin në kufij, kapjen dhe dëbimin indirekt qoftë kur bëhet fjalë për një individ azlikërkues qoftë për një dyndje masive. »
B. Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të drejtën e detit (« Konventa e Montego Bay ») (1982)
24. Nenet kryesore të Konventës së Montego Bay formulohen kështu :
Neni 92
Gjendja juridike e anijeve
« 1. Anijet lundrojnë nën flamurin e një shteti të vetëm dhe i nënshtrohen juridiksionit të tij ekskluziv në det të hapur, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme të parashikuara posaçërisht nga traktatet ndërkombëtare ose nga Konventa. (...). »
Neni 94
Detyrimet e shtetit të flamurit
« 1. Çdo shtet ushtron efektivisht juridiksionin dhe kontrollin e tij në fushën administrative, teknike dhe shoqërore mbi anijet që lundrojnë nën flamurin e tij.
(...) »
Neni 98
Detyrimi për të ofruar ndihmë
« 1. Çdo shtet kërkon nga një kapiten anijeje që lundron nën flamurin e tij , që me sa të ketë mundësi pa e rrezikuar shumë anijen, ekuipazhin dhe pasagjerët :
a) t’i japë ndihmë kujtdo që gjendet në rrezik në det ;
b) të shkojë për të ndihmuar sa më parë personat në rrezik nëse informohet se ata kanë nevojë për ndihmë, të bëjë aq sa mund të pritet në mënyrë të arsyeshmë prej tij ; (...) »
C. Konventa ndërkombëtare mbi kërkimin dhe shpëtimin në det (« Konventa SAR ») (1979, e ndryshuar në vitin 2004)
25. Pika 3.1.9 e Konventës SAR thotë:
« Palët duhet të sigurojnë koordinimin dhe bashkëpunimin e nevojshëm që kapitenët e anijeve që japin ndihmë duke marrë në anije persona në rrezik në det të hapur të lirohen nga detyrimet e tyre dhe të shmangen sa më pak të jetë e mundur nga rruga e parashikuar, por fakti se lirohen nga këto detyrime nuk do të thotë se duhet rrezikojnë edhe më shumë mbrojtjen e jetës njerëzore në det. Pala përgjegjëse e zonës së kërkimit dhe të shpëtimit ku jepet ndihmë ka përgjegjësinë kryesore për t’ u kujdesur për sigurimin e këtij koordinimi dhe bashkëpunimi, me qëllim që të mbijetuarit e ndihmuar të zbarkohen nga anija pritëse dhe të çohen në vend të sigurt, duke pasur parasysh situatën e veçantë dhe direktivat e hartuara nga Organizata (Detare Ndërkombëtare). Në këtë rast, Palët e interesuara duhet të marrin udhëzimet e nevojshme me qëllim që ky zbarkim të bëhet në afatet më të mira e më të arsyeshme të mundshme»
D. Protokolli kundër trafikut të paligjshëm nga toka, ajri dhe deti, shtesë në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër kriminalitetit transkombëtar të organizuar (« Protokolli i Palermos » (2000)
26. Neni 19 § 1 i Protokollit të Palermos formulohet si më poshtë :
« Asnjë dispozitë e këtij Protokolli nuk ka ndikime mbi të drejtat e tjera, detyrimet dhe përgjegjësitë e shteteve dhe të individëve sipas të drejtës ndërkombëtare duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtën ndërkombëtare që lidhet me të drejtat e njeriut, në veçanti kur ato zbatohen, sipas Konventës së vitit 1951 dhe Protokollit të vitit 1967 lidhur me statusin e refugjatëve si dhe parimin e mosdëbimit që shprehet aty.
E. Rezoluta 1821 (2011) e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës.
27. Në 21 qershor 2011, Asambleja Parlamentare e Këshilllit të Evropës ka miratuar Rezolutën mbi kapjen dhe shpëtimin në det të azilkërkuesve, refugjatëve dhe emigrantëve në situatë të parregullt e cila lexohet kështu :
« 1. Mikqyrja e kufijve jugorë të Evropës është bërë një prioritet rajonal. Kontinenti evropian në fakt, duhet t’i bëjë ballë mbërritjes relativisht të madhe të fluksit të emigrantëve nga deti me prejardhje nga Afrika të cilët vijnë në Evropë kryesisht nga Italia, Malta, Greqia dhe Qiproja.
2. Emigrantët, refugjatët, azilkërkuesit dhe të tjerë vënë jetën në rrezik për të arritur në kufijtë jugorë të Evropës, përgjithësisht në mjete detare të rastit. Këto udhëtime, të bëra gjithmonë me mjete të parregullta dhe shumica me anije pa flamur që rrezikojnë të bien në duart e rrjeteve të trafikut ilegal të emigrantëve dhe të trafikimit të qenieve njerëzore, janë shprehja e fatkeqësisë së këtyre njerëzve që nuk kanë një mjet të rregullt apo të paktën më të sigurt për të arritur në Evropë.
3. Edhe nëse numri i të mbërriturve nga deti është ulur në mënyrë drastike këto vitet e fundit, duke pasur si rezultat zhvendosjen e rrugëve migratore (veçanërisht drejt kufirit tokësor midis Turqisë dhe Greqisë, Asambleja Parlamentare duke përmendur pikërisht Rezolutën e saj 1637 (2008) « Les boat people në Evropë : të mbërritur nga deti me flukse migratore mikste në Evropë », shpreh përsëri shqetësimin e saj të madh për masat e mara për të menaxhuar mbërritjen nga deti të këtyre flukses migratore mikste. Shumë persona në rrezik në det të hapur janë shpëtuar si dhe shumë persona që përpiqen të arrijnë në Evropë janë kthyer mbrapsht, por lista e incidenteve vdekjeprurëse- aq tragjike sa edhe të pritshme- është e gjatë dhe aktualisht zgjatet çdo ditë.
4. Nga ana tjetër, të mbërriturit rrishtas në Itali dhe në Maltë që erdhën pas trazirave në Afrikën e Veriut konfirmojnë nevojën që Evropa të jetë gati për të përballuar, në çdo kohë, mbërritjen masive të emigrantëve të parregullt, azilkërkuesvedhe refugjatëve në brigjet jugore.
5. Asambleja konstaton se menaxhimi i të mbërriturve nga deti ngre shumë probleme, ndër të cilët pesë janë veçanërisht shqetësues :
5.1. Ndërkohë që shumë instrumente ndërkombëtarë të rëndësishëm punojnë në në këtë fushë dhe shprehin në mënyrë të kënaqshme të drejtat dhe detyrimet e shteteve dhe të individëve, duket se ka kontradikta në interpretimin e përmbajtjes së tyre. Disa shtete nuk janë dakord me natyrën dhe shtrirjen e përgjegjësive të tyre në disa raste dhe në disa shtete rivënë në dyshim zbatimin e parimit të mosdëbimit në det të hapur ;
5.2. Megjithse prioriteti absolut në rast kapjeje në det është zbarkimi i shpejtë i personave të ndihmuar në « vend të sigurt », nocioni « vend i sigurt » nuk interpretohet në të njëjtën mënyrë nga të gjitha shtetet anëtare. Por është e qartë se nocioni « vend i sigurt » nuk do të mund të kufizohej vetëm me mbrojtjen fizike të personave por përfshin detyrimisht edhe respektimin e të drejtave të tyre themelore ;
5.3. Këto mospërputhje vënë në rrezik drejtpërsëdrejti jetën e personave që duhen ndihmuar, veçanërisht duke vonuar ose penguar veprimet e shpëtimit dhe mund të bindin marinarët që të mos u shkojnë në ndihmë personave në rrezik në det të hapur. Përveç kësaj, ato mund të kenë për pasojë shkeljen e parimit të mosdëbimit ndaj një numri të rëndësishëm personash që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
5.4. Ndërkohë që Agjencia evropiane për menaxhimin e bashkëpunimit operacional në kufijtë e jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (Frontex) luan një rol gjithnjë e më të madh në fushën e kapjes në det, sigurimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe i detyrimeve që lidhen me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën komunitare në kontekstin e operacioneve shoqëruese që ajo koordinon nuk janë të mjaftueshme ;
5.5. Së fundi, këta të mbërritur nga deti përbëjnë një barrë më të rëndë për shtetet që ndodhen në kufijtë jugorë të Bashkimit Evropian. Qëllimi i një ndarjeje të drejtë të përgjegjësive dhe të një solidariteti më të madh në fushën e migrimit midis shteteve evropianë është është ende larg së realizuari.
6. Gjendja ndërlikohet nga fakti se flukset migratore të interesuara janë me karakter mikst dhe se ata kërkojnë, pra, përgjigje të specializuara që marrin parasysh nevojat për mbrojtje në përshtatje me statusin e personave të ndihmuar. Për t’u sjellë të mbërriturve nga deti një përgjigje adekuate dhe sipas normave ndërkombëtare përkatëse, shtetet duhet të mbajnë parasysh këtë element në politikat dhe veprimtaritë menaxhuese të migrimeve.
7. Asambleja u kujton shteteve detyrimet e tyre që lidhen me të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi legjislacionin e detit të vitit 1982 dhe me Konventën e Gjenevës të vitit 1951 lidhur me statusin e refugjatëve, ne veçanti, me parimin e mosdëbimit dhe të drejtën për të kërkuar azil. Asambleja përmend gjithashtu detyrimet e shteteve palë në Konventën ndërkombëtare për ruajtjen e jetës njerëzore në det të vitit 1947 dhe në Konventën ndërkombëtare të viti 1974 mbi kërkimin dhe shpëtimin detar.
8. Së fundi dhe veçanërisht, Asambleja u kujton shteteve anëtare se ato kanë detyrimin moral dhe ligjor të ndihmojnë personat që ndodhen në rrezik në det menjëherë dhe riafirmon qartas interpretimin e bërë nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët (HCR) sipas të cilit parimi i mosdëbimit zbatohet gjithashtu në det të hapur. Deti i hapur nuk është një zonë në të cilën shtetet janë të çliruar nga detyrimet e tyre juridike, përfshi këtu edhe detyrimet e tyre që burojnë nga e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe e drejta ndërkombëtare e refugjatëve.
9. Asambleja fton shtetet anëtare, në drejtimin e veprimtarive të mbikqyrjes së kufijve detarë, qoftë në kontekstin e parandalimit të trafikut të paligjshëm dhe të trafikimit të qenieve njerëzore apo në atë të menaxhimit të kufijve ku ata ushtrojnë juridiksionin e tyre de jure e de facto :
9.1. t’i përgjigjen pa përjashtim dhe menjëherë detyrimit të tyre për të mbrojtur personat që ndodhen në rrezik, në det ;
9.2. të kujdesen që politikat e tyre dhe veprimtaritë që lidhen me menaxhimin e kufijve të tyre, përfshi këtu masat për kapje, të dallojnë përbërjen mikste të flukseve migratore që tentojnë të kalojnë kufirin detar ;
9.3. t’i garantojnë çdo personi të kapur një trajtim njerëzor dhe respektimin sistematik të të drejtave të njeriut, përfshi këtu parimin e mosdëbimit, pavarësisht nga fakti se masat e kapjes zbatohen në ujërat e tyre territoriale, në ato të një shteti tjetër në bazë të një marëveshjeje dypalëshe ad hoc, ose në det të hapur ;
9.4. të mos përdorin asnje lloj praktike që ngjason me një dëbim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, përfshirë këtu në det të hapur duke respektuar interpretimin e zbatimit ekstraterritorial të këtij parimi që bëhet nga HCR dhe vendimet e rëndësishme të Gjykatës Evropiane të të drejtavetë njeriut ;
9.5. të sigurojnë me prioritet zbarkimin e shpejtë të personave të ndihmuar « në vend të sigurt » dhe të konsiderojnë si « vend të sigurt » një vend që mund t’u përgjigjet nevojave imediate të personave të zbarkuar që nuk i vë aspak në rrezik të drejtat e tyre themelore ; meqë nocioni i « sigurisë » shkon përtej mbrojtjes së thjeshtë nga rreziku fizik dhe merr gjithashtu parasysh perspektivën e të drejtave themelore të vendit të zbarkimit që propozohet ;
9.6. t’u garantojnë personave të kapur që kanë nevojë për një mbrojtje ndërkombëtare nisjen e një procedure azili të drejtë dhe efikase ;
9.7. t’u garantojë personave të kapur, viktima të trafikimit të qenieve njerëzore ose që rrezikojnë të bëhen të tillë, mbrojtje dhe asistencë duke përfshirë këtu dhe procedurat e azilit ;
9.8. të kujdesen që vendosja dhe bllokimi i personave të kapur – duke përjashtuar sistematikisht të miturit dhe grupet e pambrojtura - pavarësisht nga statusi i tyre, të autorizohet nga autoritetet gjyqësore dhe të bëhet vetëm në rast nevoje dhe për arsyet e parashikuara nga ligji, në mungesë të çdo alternative tjetër të përshtatshme dhe në respekt të normave minimale dhe parimeve të përcaktuara nga Rezoluta 1707 (2010) e Asamblesë mbi bllokimin administrativ të azilkërkuesve dhe emigrantëve në situatë të parregullt në Evropë ;
9.9. të ndërpresin marrëveshjet dypalëshe që mund të kenë bërë më shtete të treta nëse të drejtat themelore të njerëzve të kapur nuk garantohen aty në mënyrë adekuate, veçanërisht e drejta e tyre për të nisur një procedurë azili dhe nëse kjo mund të ngjasojë me një shkelje të parimit të mosdëbimit dhe të bëjë marrëveshje të reja dypalëshe që përmbajnë shprehimisht të tilla garanci dhe masa në fushën e të drejtave të njeriut që lejojnë të bëhet kontrolli i tyre i rregullt dhe efektiv ;
9.10. të nënshkruajnë dhe të ratifikojnë, nëse nuk e kanë bërë ende, instrumentet ndërkombëtare të rëndësishme të lartpërmendura dhe të mbajnë parasysh Direktivat e Organiztës detare ndërkombëtare (OMI) mbi trajtimin e personave të ndihmuar në det ;
9.11. të nënshkruajnë dhe të ratifikojnë, nëse nuk e kanë bërë ende, Konventën e Këshillit të Evropës mbi luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore (STCE no 197) dhe Protokollet të quajtura « të Palermos » në Konventën e Kombeve të Bashkuar kundër kriminalitetit transkombëtar të organizuar. (2000) ;
9.12. të kujdesen që operacionet e survejimit në kufijtë detarë dhe masat e kontrollit në kufij mos e pengojnë mbrojtjen specifike që u jepet sipas të drejtës ndërkombëtare kategorive të pambrojtura si refugjatëve, personave pa atdhe, fëmijëve të pashoqëruar dhe grave, emigrantëve, viktimave të trafikimit ose personave që rrezikojnë të bëhen të tillë, si dhe viktimave të torturave dhe traumave.
10. Asambleja është e shqetësuar nga mungesa e qartësisë për sa i përket përgjegjësive përkatëse të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Frontex-it dhe nga mungesa e garancive adekuate për respektimin e të drejtave themelore dhe të normave ndërkombëtare në kuadrin e operacioneve shoqëruese të koordinuara nga kjo agjenci. Ndërkohë që Asambleja gëzohet për propozimet e paraqitura nga Komisioni Evropian për të modifikuar rregulloren e kësaj agjencie me qëllim që të forcohen garancitë për respektimin e plotë të të drejtave themelore, ajo i gjykon ato të pamjaftueshme dhe do të dëshironte që Parlamenti Evropian duhet të ngarkohet me kontrollin demokratik të aktiviteteve të kësaj agjencie, veçanërisht duke mbajtur parasysh respektimin e të drejtave themelore. .
11. Asambleja mendon gjithashtu se është thelbësore që të ndërmerren përpjekje për të parandaluar shkaqet fillestare që i shtyjnë njerëzit të marrin detin në drejtim të Evropës duke rrezikuar jetën. Asambleja u bën thirrje të gjitha vendeve të forcojnë përpjekjet e tyre në favor të paqes, shtetit të të drejtës dhe të posperitetit në vendet e origjinës së kandidatëve për emigrim dhe të azilkërkuesve.
12. Së fundi, duke parë rëndësinë e sfidave me të cilat përballen shtetet bregdetare nga mbërritja e parregullt nga deti e flukseve mikste të njerëzve, Asambleja i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht OMI-t dhe HCR-së, Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian ( përfshirë këtu Frontex-in dhe Zyrën evropiane të ndihmës në fushën e azilit) :
12.1. t’u japë ndihmën e duhur këtyre vendeve me një shpirt solidariteti dhe ndarjeje të përgjegjësive;
12.2. nën patronazhin e OMI-i, të bëjnë përpjekje të bashkuara me qëllim që të garantojnë një qasje koherente dhe të harmonizuar të të drejtës detare ndërkombëtare me anë të një konsensusi për përkufizimin dhe përmbajtjen e normave dhe termave kryesore :
12.3. të ngrënë një grup ndër-agjencish të ngarkuar me studimin dhe zgjidhjen e problemeve në fushën e kapjes në det, përfshirë këtu dhe pesë problemet e identifikuara në këtë rezolutë, për të caktuar përparësi politike të qarta për të këshilluar shtetet dhe aktorët e tjerë të interesuar dhe për të kontrolluar dhe vlerësuar zbatimin e masave të kapjes në det. Grupi do të duhej të përbëhej nga anëtarë të OMI-t, të HCR-të Evropës, të Frontx-it dhe të Zyrës evropiane të ndihmës në fushën e azilit.»
F. E drejta e Bashkimit Evropian
1. Karta e të drejtave themelore e Bashkimit Evropian (2000)
28. Neni 19 i Kartës së të drejtave themelore të Bashkimit Evropian parashikon:
Mbrojtje në rast largimi, dëbimi dhe ekstradimi.
« 1. Dëbimet kolektive ndalohen.
2. askush nuk mund të largohet, dëbohet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ekziston një rrezik serioz që ai t’i nënshtrohet dënimit me vdekje ose dënimeve të tjera ose trajtimeve cçnjerzore dhe poshtëruese. »
2. Marrëveshja Schengen (1985)
29. Neni 17 i Marrëveshjes Schengen formulohet kështu :
« Në fushën e qarkullimit të njerëzve, Palët do të kërkojnë të heqin kontrollet në kufijtë e përbashkët dhe t’i transferojnë në kufijtë e tyre të jashtëm. Për këtë qëllim ato do të mundohen paraprakisht të harmonizojnë, nëse është nevoja, dispozitat legjislative dhe rregulluese që lidhen me ndalimet dhe kufizimet ku bazohen kontrollet dhe të marrin masa plotësuese për ruajtjen e sigurisë dhe për të penguar imigracionin e paligjshëm të shtetasve nga shtete joanëtare të Bashkësive evropiane. »
3. Rregullorja (CE) no 2007/2004 e Këshillit e 26 tetorit 2004 përmban krijimin e një Agjencie evropiane për menaxhimin e bashkëpunimit operacional në kufijtë e jashtëm të Shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (FRONTEX)
30. Rregullorja (CE) no 2007/2004 përmban dispozitat e mëposhtme:
« 1) Politika komunitare lidhur me kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian synon të organizojë një menaxhim të integruar që garanton një nivel të lartë dhe një mbikqyrje që shoqëron domosdoshmërisht qarkullimin e lirë të personave në Bashkimin Evropian dhe një element përcaktues të hapësirës së lirisë, së sigurisë dhe së drejtësisë. Për këtë qëllim, është parashikuar të vendosen rregulla të përbashkëta lidhur me normat dhe procedurat e kontrollit në kufijtë e jashtëm. .
2) Për të zbatuar në mënyrë efikase rregulla të përbashkëta, është e rëndësishme të rritet koordinimi i bashkëpunimit midis shteteve anëtare.
3) Duke mbajtur parasysh eksperiencën e procedurës së përbashkët të prakticienëve të kufijve të jashtëm që operojnë në gjirin e Këshillit, do të duhej të krijohej një organizëm ekspertësh të specializuar të ngarkuar për të përmirësuar koordinimin e bashkëpunimit operacional midis shteteve anëtare në fushën e menaxhimit të kufijve të jashtëm, në formën e një Agjencie evropiane menaxhuese të koordinimit operacional për kufijtë e jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, këtej e tutje të quajtur « Agjencia ».
4) Përgjegjësia e kontrollit dhe e mbikqyrjes së kufijve të jashtëm i bie shteteve anëtare. Agjencia synon të lehtësojë zbatimin e masave komunitare ekzistuese dhe të masave të reja që lidhen me menaxhimin e kufijve të jashtëm duke siguruar koordinimin e dispozitave ekzekutuese përgjegjëse që merren nga shtetet anëtare.
5) Është shumë e rëndësishme për shtetet anëtare që një kontroll dhe një mbikqyrje efektive e kufijve të jashtëm të sigurohen pavarësisht nga pozicioni i tyre gjeografik. Për rrjedhojë, është e domosdoshme të promovohet solidariteti midis shteteve anëtare në fushën e menaxhimit të kufijve të jashtëm. Krijimi i Agjencisë, e cila ndihmon shtetet anëtare në zbatimin operacional të menaxhimit të kufijve të tyre të jashtëm, veçanërisht për kthimin e shtetasve të vendit të tretë me qëndrim të parregullt në territorin e tyre, përbën një përparim të rëndësishëm në këtë drejtim. »
4. Rregullorja (CE) no 562/2006 e Parlamentit evropian dhe e Këshillit e 15 marsit 2006 e cila vendos një kod komunitar që lidhet me regjimin e kalimit të kufijve nga njerëzit (kodi i kufijve Schengen)
31. Neni 3 i Rregullores (CE) no 562/2006 dekreton :
« Kjo rregullore zbatohet për cdo person që kalon kufirin e brendshëm ose të jashtëm të një shteti anëtar, pa cenuar :
a) të drejtat e personave që gëzojnë të drejtën komunitare për qarkullim të lirë;
b) të drejtat e refugjatëve dhe të personave që kërkojnë një mbrojtje ndërkombëtare, vecanërisht përsa i përket mosdëbimit. »
5. Vendimi i Këshillit i 26 prillit 2010 që synon të plotësojë kodin e kufijve Schengen për sa i përket mbikqyrjes së kufijve të jashtëm detarë në kuadrin e bashkëpunimit operacional nga Agjencia evropiane për menaxhimin e bashkëpunimit operacional në kufijtë e jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. (2010/252/UE)
32. Vendimi i Këshillit i 26 prillit 2010 saktëson në shtojcën e vet :
« Rregulla të zbatueshme në operacionet për kufijtë detër të koordinuara nga [Agjencia FRONTEX] :
1. Parime të përgjithshme
1.1. Masat e mara për një operacion mbikqyrës zbatohen për të respektuar të drejtat themelore në mënyrë që të mos vënë në rrezik sigurinë e personave të kapur ose të ndihmuar as atë të njësive pjesëmarrëse.
1.2. Askush nuk zbarkohet në një vend as i dorëzohet autoriteteve të këtij të fundit duke shkelur parimin e mosdëbimit ose nëse ekziston një rrezik dëbimi ose kthim drejt një vendi tjetër duke shkelur këtë parim. Pa cënuar pikën 1.1, personat e kapur ose të ndihmuar informohen në mënyrë adekuate që të mund të shpjegojnë arsyet për të cilat zbarkimi në vendin e propozuar do të ishte në kundërshtim me parimin e mosdëbimit.
1.3. Janë mbajtur parasysh, gjatë gjithë kohëzgjatjes së operacionit nevojat specifike të fëmijëve, viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, personave që kanë nevojë për një asistencë mjekësore urgjente ose për një mbrojtje ndërkombëtare dhe persona të tjerë që gjenden në një situatë vecanërisht të pambrojtur.
1.4. Shtetet anëtare kujdesen që rojet kufitare që marrin pjesë në operacionin e mbikqyrjes të jenë trajnuar në lidhje me dispozitat e zbatueshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të refugjatëve dhe të njohin regjimin ndërkombëtar të kërkimit dhe shpëtimit. »
IV. DOKUMENTET NDËRKOMBËTARE QË KANË TË BËJNË ME KAPJEN NË DET TË HAPUR TË PRAKTIKUARA NGA ITALIA DHE GJENDJA NË LIBI.
A. Komunikatë për shtyp e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkura për refugjatët
33. Në 7 maj 2009, HCR-ja publikoi një komunikatë për shtyp të formuluar kështu :
« HCR-ja ka shprehur shetësimin e madh të enjten për sa i përket fatit të rreth 230 personave të ndihmuar në det të mërkurën nga motobarkat italiane të patrullimit detar në zonën e kërkimit dhe shpëtimit që është kompetencë e autoriteteve malteze. Të gjthë këta persona u kthyen në Libi pa një vlerësim të përshtatshëm të nevojave të tyre eventuale për mbrojtje. Shpëtimi kishte ndodhur në një distancë afërsisht 35 milje detare në juglindje të ishullit Lampeduza, sidoqoftë brenda zonës së kërkimit dhe shpëtimit që është në kompetencën e autoriteteve malteze.
Kthimi mbrapsht në Libi u bë pas një dite të tërë bisedimesh të tensionuara midis autoriteteve malteze dhe italiane për sa i përket marrjes së përgjegjësisë së shpëtimit dhe zbarkimit të personave në rrezik që gjendeshin në bordin e tri anijeve. Megjithëse ndodheshin më afër Lampeduzës, anijet lundronin në zonën e kërkimit dhe shpëtimit që është kompetencë e autoriteteve malteze.
Ndërkohë që nuk kishte asnjë informacion mbi kombësinë e personave që gjendeshin në bordin e motobarkave, ka mundësi që , ndër ta, të ketë pasur persona të cilët kishin nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Në vitin 2008, rreth 75% e personave të mbërritur nga deti në Itali kanë depozituar një kërkesë për azil dhe 50% prej tyre u është dhënë statusi i refugjatit ose një mbrojtje për arsye të tjera humanitare.
« Ju bëj thirrje autoriteteve italiane dhe malteze të vazhdojnë të sigurohen se personat e ndihmuar në det dhe që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare përfitojnë një akses pa pengesa në territorin dhe në procedurat e azilit, ka thënë Komisioneri i Lartë António Guterres.
Ky incident shënon kthesën domethënëse në politikat deri atëherë të zbatuara nga qeveria italiane dhe kjo shkaktoi një shqetësim shumë të madh. HCR-së i vjen shumë keq për mungesën e transparencës që rrethoi këtë ngjarje.
« Ne punojmë ngushtësisht me autorittet italiane në Lampeduza dhe gjetkë për të siguruar që personat që arratisen nga lufta dhe persekutimet të mbrohen në respektim të Konventës së vitit 1951 që lidhet me statusin e refugjatëve e miratuar në Gjenevë » ka shtuar Laurens Jolles, i deleguari i HCR-së në Romë
. « Është me rëndësi themelore që parimi i të drejtës ndërkombëtare mbi mos dëbimin të vazhdojë të respektohet plotësisht ».
Për më tepër, Libia nuk është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1951 që lidhet me statusin e refugjatit dhe ky vend nuk disponon një sistem kombëtar operacional të azilit. HCR-ja u kërkon me ngut autoriteteve itaiane që të rishqyrtojnë vendimin e tyre dhe që të kujdesen për të mos zbatuar masa të tilla në të ardhmen . »
B. Letra e Z. Jacques Barrot, zëvendëkryetar i Komisionit Evropian, në datën 15 korrik 2009
34. Në 15 korrik 2009, Z. Jacques Barrot i drejtoi një letër kryetarit të Komisionit të lirive civile, të drejtësisë dhe të punëve të brendshme të Parlamentit Evropian, si përgjigje e një kërkese për mendim juridik mbi « kthimin në Libi të shumë grupeve emigrantësh nga autoritetet italiane me rrugë detare ». Në këtë letër, zëvendëkryetari i Komisionit Evropian shprehej kështu :
« Sipas informacioneve që ka Komisioni, emigrantët janë kapur në det të hapur. .
Dy përmbledhje rregullash komunitare duhen shqyrtuar për sa i përket situatës së shtetasve të vendit të tretë ose atyre pa atdhe që kanë ndërmend të hyjnë, në një mënyrë të parregullt, në territorin e shteteve anëtare një pjesë e të cilëve mund të kenë nevojë për mbrotje ndërkombëtare.
Së pari, eksperienca komunitare në fushën e azilit synon të ruajë të drejtën e azilit, të tillë sic shprehet në në nenin 18 të Kartës së të drejtave themelore të BE, dhe në përputhje me Konventën e Gjenevës së vitit 1951 përsa i përket statusit të refugjatëve dhe me traktate të tjerë të rëndësishëm. Megjithatë kjo eksperiencë përfshi këtu direktivën për procedurat e azilit të vitit 2005, zbatohet vetëm për kërkesat e azilit të bëra në territorin e shteteve anëtare që përfshin kufijtë, zonat e tranzitit si dhe në kuadrin e kufijve detarë, ujërat territoriale të shteteve anëtare. Për rrjedhojë, është e qartë juridikisht se përvoja komunitare në fushën e azilit nuk zbatohet në situata në det të hapur.
Së dyti, Kodi i kufijve Schengen (KKSH) kërkon që shtetet anëtare të sigurojnë kontrollin kufitar për të penguar midis të tjerash kalimin jo të autorizuar të kufijve (neni 12 i rregullores (CE) no 562/2006 (CFS)). Megjithatë, ky detyrim komunitar duhet të zbatohet në përputhje me parimin e mosdëbimit dhe pa cenuar të drejtat e refugjatëve dhe të personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.
Komisioni mendon se veprimtaritë e mbiqkyrjes së kufijve të kryera në det, qoftë në ujërat territoriale, zonën ngjitur, zonën ekonomike ekskluzive ose në det të hapur bien në fushën e zbatimit të KKSH. Në këtë drejtim, analiza jonë paraprake juridike lejon të mendohet se aktet e rojeve kufitare italiane përputhen me nocionin e « mbikqyrjes së kufijve », si thuhet në nenin 12 të KKSH, përderisa kanë penguar kalimin jo të lejuar të kufirit të jashtëm detar nga persona të interesuar dhe kanë përfunduar me dëbimin e tyre në vendin e tretë të nisjes. Nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë del se duhet të zbatohen detyrimet komunitare për respektimin e rreptë të të drejtave themelore që bëjnë pjesë në parimet e përgjithshme të të drejtës komunitare. Gjykata ka sqaruar gjithashtu se fusha e zbatimit të këtyre të drejtave në rendin juridik komunitar duhet të përcaktohet duke marrë parasysh jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).
Parimi i mosdëbimit, ashtu si interpretohet nga GJEDNJ do të thotë kryesisht se shtetet nuk duhet të kthejnë një person (drejtpërsëdrejti ose tërthorazi) atje ku ai mund të rrezikojë realisht t’i nënshtrohet torturës ose ndëshkimeve apo trajtimeve cnjerëzore dhe poshtëruese. Përveç kësaj shtetet nuk mund t’i kthejnë refugjatët në kufijtë e jashtëm ku jeta e tyre ose liria do të kërcënohej për shkak të racës, besimit, kombësisë se tyre dhe lidhjes më një grup shoqëror të vecantë ose për bindjen e tyre politike. Ky detyrim do të duhej të respektohej gjatë zbatimit të mbikqyrjes së kufijve në përpëuthje me KKSH, duke përfshirë këtu veprimtaritë e mbikqyrjes së kufijve në det të hapur. Jurisprudenca e GJEDNJ tregon se aktet e kryera në det të hapur nga një anije e shtetit përbëjnë një rast komptence ekstraterritoriale dhe mund të jetë në përgjegjësinë e shtetit të interesuar.
Duke mbajtur parasysh atë çka thuhet më lart lidhur me fushën e kompetencave komunitare, Komisioni i fton autoritetet italiane t’i japin informacione shtesë lidhur me rrethanat faktuale të kthimit mbrapsht të personave në fjalë në Libi dhe dispozitat për të siguruar pajtueshmërinë me parimin e mosdëbimit në zbatimin e marrëveshjes dypalëshe midis dy vendeve. »
C. Raporti i Komitetit për parandalimin e torturës i Këshillit të Evropës.
35. Nga data 27 deri në 31 korrik 2009, një delegacion i Komitetit për parandalimin e torturës dhe ndëshkimeve apo trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese (CPT) i Këshillit të Evropës ka kryer një vizitë në Itali. Me këtë rast, delegacioni ka shqyrtuar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me politikën e re qeveritare të kapjes në det dhe të kthimit në Libi të emigrantëve të parregullt që i afrohen brigjeve jugore të Italisë. Delegacioni është përqëndruar veçanërisht në sistemin e garancive në vend që lejojnë të mos dërgohet një person drejt një vendi ku ka arsye serioze të besohet se do të rrezikojë realisht t’i nënshtrohet torturës ose keqtrajtimeve.
36. Në një raport, të bërë publik në 28 prill 2010, CTP- ja ka çmuar se politika e Italisë që konsiston në kapjen e emigrantëve në det dhe detyrimin për t’i kthyer në Libi ose në vende të tjera joevropiane përbënte një shkelje të parimit të mosdëbimit. Ai ka nënvizuar se Italia ka detyrimin të zbatojë parimin e mosdëbimit cilidoqoftë vendi ku ajo ushtron juridiksionin e saj, çka përfshin ushtrimin e juridiksionit të saj përmes personelit të saj dhe anijeve të saj të angazhuara në mbrojtjen e kufijve ose në shpëtimin në det, përfshirë këtu rastet kur operojnë jashtë territorit të tyre. Për më tepër, të gjithë njerëzit që varen nga juridiksioni i Italisë do të duhej të kishin mundësinë të kërkonin mbrojtjen ndërkombëtare dhe të përfitonin për këtë qëllim lehtësitë e domosdoshme. Nga informacionet që disponon CTP-ja del se kjo mundësi nuk u ishte dhënë emigrantëve të kapur në det nga autoritetet italiane gjatë periudhës së shqyrtuar. Përkundrazi, personave që ishin kthyer mbrapsht në Libi në kuadrin e operacioneve të kryera nga maji në korrik 2009 u ishte refuzuar e drejta për të marrë një vlerësim individual të rastit të tyre dhe një akses efektiv në sistemin e mbrojtjes së refugjatëve. Në këtë drejtim CTP-ja ka vënë re se personat që i kanë mbijetuar një udhëtimi në det janë veçanërisht të pambrojtur dhe shpesh në një gjendje të tillë që nuk mund të pritet prej tyre të shprehin menjëherë dëshirën e tyre për të kërkuar azil. Sipas raportit të CTP-së, Libia nuk mund të konsiderohej si një vend i sigurt në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtës së refugjatëve; situata e personave të arrestuar dhe të ndaluar në Libi, përfshi këtu atë të emigrantëve- që rrezikojnë gjithashtu të dëbohen- do të tregonte se personat e kthyer në Libi rrezikonin të ishin viktimë e keqtrajtimeve.
D. Raporti i Human Rights Watch
37. Në një raport të gjatë të publikuar në 21 shtator 2009, që ka për titull « Të dëbuar, të keqtrajtuar: Italia dëbon me forcë emigrantët dhe azilkërkuesit të mbërritur me anije, Libia i keqtrajton », Human Rights Watch denoncon praktikën italiane që konsiston në kapjen në det të hapur të barkave të ngarkuara me emigrantë dhe dëbimin e tyre drejt Libisë pa bërë verifikimet e nevojshme. Ky raport bazohet gjithashtu mbi rezultatet e kërkimeve të publikuara në një raport të vitit 2006, me titull « Libya, stemming the Flow.Abuses against migrants, asylum seekers and refugees ».
38. Sipas Human Rights Watch, patrulluesit italianë rimorkiojnë barkat e emigrantëve në ujërat ndërkombëtare pa verifikuar nëse ka mes tyre refugjatë, të sëmurë ose të plagosur, gra shtatzëna, fëmijë të pashoqëruar ose viktima të trafikut apo të formave të tjera të dhunës. Autoritetet italiane do t’i deyronin emigrantët e kapur të hipnin në anije libiane ose do t’i çonin direkt emigrantët në Libi ku autoritetet do t’i burgosnin menjëherë. Disa nga këto operacione do të koordinoheshin nga agjencia Frontex.
Raporti mbështetet mbi biseda të bëra me nëntëdhjetë e një emigrantë, azilkërkues dhe refugjatë në Itali dhe në Maltë, kryesisht në maj 2009, dhe mbi një bisedë telefonike me një emigrant të burgosur në Libi. Përfaqësues të Human Rights Watch do të shkonin në Libi në prill 2009 dhe do të takonin përfaqësues të qeverisë, por autoritetet libiane nuk do të lejonin organizimin e bisedave private me emigrantët. Megjithë kërkesat e përsëritura, autoritetet nuk do t’ia jepnin lejen Human Rights Watch të vizitonte një nga qendrat e paraburgimit për emigrantët në Libi. HCR tani do të kishte akses në burgun e Misratah-it, ku emigrantët klandestinë do të burgoseshin përgjithësisht, dhe organizatat libiane do të siguronin aty shërbimet humanitare. Megjithatë, në mungesë të një marrëveshjeje zyrtare, aksesi nuk garantohej. Përveç kësaj, Libia nuk do të njihte të drejtën për azil. Autoritetet nuk do të bënin asnjë dallim midis refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve të tjerë klandestinë.
39. Human Rights Watch e inkurajon qeverinë libiane të përmirësojë kushtet e paraburgimit në Libi, me sa duket të mjerueshme dhe të përgatisë procedura azili në përputhje me normat ndërkombëtare. Raporti i drejtohet gjithashtu qeverisë italiane, Bashkimit Evropian, dhe Frontex-it me qëllim që të garantohet e drejta e azilit, përfshi këtu për personat e kapur në det të hapur, dhe që shtetasit jo-libianë të mos dërgohen në Libi, për sa kohë mënyra se si trajtohen emigrantët, azilkërkuesit dhe personat e kapur në det të hapur nuk është plotësisht në pajtueshmëri me rregullat ndërkombëtare.
E. Vizita e Amnesty International
40. Një ekip i Amnesty International ka kryer një mision hetimi në Libi nga 15 deri në 23 maj 2009; ishte hera e parë që nga 2004 që autoritetet libiane lejonin një vizitë të kësaj organizate.
Gjatë kësaj vizite, Amnesty International ka shkuar afërsisht 200 km larg Tripolit ku mori në pyetje shkurt disa persona ndërmjet qindra emigrantësh klandestinë me origjinë nga vende të tjera të Afrikës që janë grumbulluar në qendrën e paraburgimit të Misratah-it. Një numër i madh nga këta emigrantë janë kapur ndërsa kërkonin të shkonin në Itali ose në ndonjë vend tjetër të jugut të Evropës pasi i kishin kërkuar Libisë dhe vendeve të tjera të Afrikës së Veriut të mbanin emigrantët ilegalë që kishin ardhur nga Afrika nënsahariane për t’i penguar që të shkonin në Evropë.
41. Amnesty International mendon se ndërjmjet personave të paraburgosur në Misratah, ka mundësi të ketë refugjatë që kanë ikur nga persekutimi dhe nënvizon se Libia nuk ka një procedurë azili dhe nuk është pjesë e Konventës që lidhet me statusin e refugjatëve as e Protokollit të saj të vitit 1967 ; të huajt, duke përfshirë ata që kanë nevojë për një mbrojtje ndërkombëtare, do të rrezikonin të mos përfitonin nga mbrojtja e ligjit. Të paraburgosurit nuk do të kishin praktikisht asnjë mundësi për t’u ankuar para një autoriteti gjyqësor kompetent për aktet e torturës ose forma të tjera të keqtrajtimit.
Amnesty International do t’ua kishte bërë të ditur, shefave qeveritarë të takuar në Libi, shqetësimin e saj në lidhje me burgosjen dhe keqtrajtimin që u janë bërë qindra apo mijëra të huajve që autoritetet i asimilonin me emigrantët e parregullt dhe u kishte kërkuar të përgatisnin një procedurë që do të lejonte të identifikoheshin dhe të mbroheshin si duhej azilkërkuesit dhe refugjatët. Po kështu, Amnesty International do t’u kishte kërkuar autoriteteve libiane të mos i kthejnë me forcë shtetasit e huaj drejt vendeve ku ata rrezikojnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe të gjenin një zgjedhje më të mirë se burgosja për të huajt që nuk mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës për këto arsye. Disa shtetas eritreas, që përbënin një pjesë të rëndësishme të shtetasve të huaj të burgosur në Misratah, u treguan delegacionit të Amnesty International se ata mbaheshin të burgosur prej dy vjetësh.
V. DOKUMENTE TË TJERA NDËRKOMBËTARE QË PËRSHKRUAJNË SITUATËN NË LIBI
42. Përveç atyre të lartpërmendur, shumë raporte janë publikuar nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe nga organizata joqeveritare që shprehin keqardhje për kushtet e burgimit dhe të jetesës së emigrantëve të parregullt në Libi në kohën e fakteve.
Ja një listë e raporteve kryesore:
– Human Rights Watch, Stemming the Flow: abuses against migrants, asylum seekers and refugees, septembre 2006 ;
– Komiteti i të drejtave të njeriut i Kombeve të Bashkuara, Vërejtjet përfundimtare për Jamahiriya arabe libiane, 15 nëntor 2007 ;
– Amnesty Intemational, Libi – Raport i vitit 2008 i Amnesty International, 28 maj 2008 ;
– Human Rights Watch, Libya Rights at Risk, 2 shtator 2008 ;
– Departamenti i shetit amerikan, Raport lidhur me të drejtat e njeriut në Libi, 4 prill 2010.
VI. DOKUMENTE NDËRKOMBËTARE QË PËRSHKRUAJNË SITUATËN NË SOMALI DHE NË ERITREA
43. Dokumentet kryesore ndërkombëtare që lidhen me situatën në Somali janë paraqitur në cështjen Sufi dhe Elmi kundër Mbretërisë së Bashkuar (nos 8319/07 dhe 11449/07, §§ 80-195, 28 qershor 2011).
44. Për sa i përket Eritreas, shumë raporte denoncojnë shkeljen e të drejtave themelore të kryera në këtë vend. Ata raportojnë për cënimin e rëndë të të drejtave të njeriut nga ana e qeverisë të Eritreas, si arrestime arbitrare, torturë, kushte çnjerëzore të burgosjes, punë e detyruar dhe kufizime të rënda të lirive të lëvizjes, të shprehjes dhe të besimit. Këto dokumente analizojnë gjithashtu situatën e vështirë të eritreasve që arrijnë të arratisen drejt vendeve të tjera si Libia, Sudani, Egjipti dhe Italia dhe më pas janë riatdhesuar me forcë.
Ja lista e raporteve kryesore:
– HCR, Eligibility guidelines for assessing the international protection needs of asylum-seekers from Eritrea, avril 2009 ;
– Amnesty international, report 2009, Eritrea, 28 maj 2009 ;
– Human Rights Watch, Service for life, state repression and indefinite conscription in Eritrea, avril 2009 ;
– Human Rights Watch, Libya, don’t send Eritreans back to risk of torture, 15 janar 2010 ;
– Human Rights Watch, World Chapter Report, janar 2010.
REFERIMI I TË DREJTËS
I. CËSHTJE PARAPRAKE TË NGRITURA NGA QEVERIA
A. Mbi vlefshmërinë e prokurave dhe ndjekja e shqyrtimit të kërkesës.
1. Çështja e ngritur nga Qeveria
45. Qeveria konteston në shumë drejtime vlefshmërinë e prokurave të paraqitura nga përfaqësuesit e kërkuesve. Së pari, ajo pretendon se ka parregullsi në hartimin e shumicës së prokurave, si për shembull:
– mungesë e çdo treguesi date e vendi dhe në disa, fakti se data dhe vendi duket se janë shkruar nga i njëjti person ;
– mungesë e çdo reference për numrin e kërkesës ;
– fakti që identiteti i kërkuesve tregohet vetëm me mbiemër, emri, kombësia, një nënshkrim i palexueshëm dhe një shenjë gishtrinjsh shpesh e pjesëshme dhe e padeshifrueshme ;
– mungesë e datës së lindjes së kërkuesve
46. Së fundi, Qeveria vëren se kërkesa nuk i saktëson as rrethanat në të cilat janë hartuar prokurat, çka do të hidhte një dyshim mbi vlefshmërinë e tyre, as hapat e ndërmarra nga përfaqësuesit e kërkuesve me qëllim që të vërtetohet identiteti i klientëve të tyre. Nga ana tjetër, ajo vë në dyshim cilësinë e kontakteve që ekzistojnë midis kërkuesve dhe përfaqësuesve të tyre. Ajo pretendon se mesazhet elektronike të dërguara nga kërkuesit pas transferimit të tyre në Libi nuk janë të shoqëruara me nënshkrime që të mund të krahasohen me ato të vëna mbi prokura. Sipas Qeverisë, vështirësitë e hasura nga avokatët për të vendosur dhe për të ruajtur kontaktin me kërkuesit do të pengonte një shqyrtim kontradiktor të çështjes.
47. Që nga ajo kohë, meqë çdo verifikim i identitetit të kërkuesve është i pamundur, dhe meqë kërkuesit nuk mund « të marrin pjesë personalisht » në çështje, Gjykata do të duhej të hiqte dorë nga ndjekja e shqyrtimit të kërkesës. Duke iu referuar Hussun dhe të tjerë kundër Italisë ((fshirje), nos 10171/05, 10601/05, 11593/05 dhe 17165/05, 19 janar 2010), Qeveria i kërkon Gjykatës ta fshijë kërkesën nga regjistri.
2. Argumentet e kërkuesve
48. Përfaqësuesit e kërkuesve mbrojnë vlefshmërinë e prokurave. Ata pohojnë së pari se parregullsitë në shkrim të pretenduara nga Qeveria nuk do të mund të sillnin si pasojë pavlefshmërinë e mandatave që u kanë dhënë klientët e tyre.
49. Sa për rrethanat në të cilat prokurat janë hartuar, ata saktësojnë se mandatet janë zyrtarizuar nga kërkuesit që me mbërritjen e tyre në Libi, pranë anëtarëve të organizatave humanitare që punojnë në qendra të ndryshme të bllokimit të emigrantëve të parregullt. Këta persona më pas ngarkohen të kontaktojnë me ta dhe t’u transmetojnë prokurat me qëllim që ata të mund t’i nënshkruajnë dhe t’i pranojnë mandatet.
50. Për sa i përket vështirësive të lidhura me identifikimin e të interesuarve, ato rrjedhin drejtpërsëdrejti nga objekti i kërkesës, d.m.th. një operacion dëbimi kolektiv dhe pa indentifikim paraprak të emigrantëve klandestinë. Sidoqoftë, avokatët tërheqin vëmendjen e Gjykatës mbi faktin se një pjesë e rëndësishme e kërkuesve është identifikuar nga HCR në Tripoli pas mbërritjes së tyre në Libi.
51. Së fundi, avokatët pohojnë se kanë ruajtur kontakte me një pjesë të të interesuarve, me telefon dhe me postë elektronike. Në këtë rast, ata tregojnë për vështirësitë e mëdha që hasin për të mbajtur kontakte me kërkuesit, veçanërisht për shkak të dhunës që ka tronditur Libinë duke filluar nga viti 2011.
3. Vlerësimi i Gjykatës
52. Gjykata kujton para së gjithash se sipas nenit 45 § 3 të rregullores së vet, përfaqësuesi i një kërkuesi duhet të prodhojë « një prokurë me shkrim ». Për rrjedhojë, një prokurë e thjeshtë me shkrim do të ishte e vlefshme për procedurën para Gjykatës, kur askush nuk do të mund të tregonte se ajo është bërë pa pëlqimin e të interesuarit ose pa e kuptuar ky i fundit se për çfarë bëhet fjalë (Velikova kundër Bullgarisë, no 41488/98, § 50, GJEDNJ 2000-VI).
53. Nga ana tjetër, as Konventa as rregullorja e Gjykatës nuk imponojnë kushte të vecanta përsa i përket formulimit të prokurës, as kërkojnë ndonjë formë certifikimi nga autoritetet kombëtare. Ajo që ka rëndësi për Gjykatën është se prokura tregon qartë se kërkuesi ia ka besuar përfaqësimin e vet para Gjykatës një këshilltari dhe ky i fundit e ka pranuar këtë mandat. (Riabov kundër Rusisë, no 3896/04, §§ 40 et 43, 31 janar 2008).
54. Në këtë rast, Gjykata vëren se të gjitha prokurat e hedhura në dosje janë nënshkruar dhe shoqëruar me shenjat e gishtrinjve. Përveç kësaj, përfaqësuesit e kërkuesve kanë dhënë, gjatë gjithë procedurës, informacione të detajuara për zhvillimin e fakteve dhe për fatin e kërkuesve, me të cilët ata kanë mundur të mbajnë kontakte. Asgjë në dosje nuk lejon të dyshohet për tregimin e avokatëve, as të vihet në dyshim shkëmbimi i informacioneve me Gjykatën (shih a contrario, Hussun, i lartcituar, §§ 43-50).
55. Në këto rrethana, gjykata nuk ka asnjë arsye të dyshojë për vlefshmërinë e prokurave. Kështu që ajo e hedh poshtë, kundërshtimin e Qeverisë.
56. Nga ana tjetër, Gjykata nënvizon se, në përputhje me informatat e dhëna nga avokatët, dy kërkues, Z. Mohamed Abukar Mohamed dhe Z. Hasan Shariff Abbirahman (respektivisht no 10 et no 11 në listë), kanë vdekur pak kohë pas pranimit të kërkesës. (paragrafi 15 më sipër).
57. Ajo kujton se Gjykata ka për praktikë të fshijë kërkesat nga regjistri kur një kërkues vdes gjatë procedurës dhe asnjë trashëgimtar ose i familjar i afërm nuk dëshiron ta ndjekë çështjen (shih, ndër të tjera, Scherer kundër Zvicrës; 25 mars 1994, §§ 31-32, seria A no 287 ; Öhlinger kundër Austrisë, no 21444/93, raport i Komisionit të 14 janarit 1997, § 15, i papublikuar ; Thévenon kundër Francës (vend.), no 2476/02, GJEDNJ 2006-III ; dhe Léger kundër France (fshirje) [GC], no 19324/02, § 44, 30 mars 2009).
58. Nën dritën e rrethanave të rastit, Gjykata vlerëson se nuk justifikohet më ndjekja e shqyrtimit të kërkesës për sa i përket personave të vdekur (neni 37 § 1 c) i Konventës). Nga ana tjetër, ajo nënvizon se ankesat e ngritura fillimisht nga Z. Mohamed Abukar Mohamed dhe Hasan Shariff Abbirahman janë të njëjta me ato të shprehura nga kërkuesit e tjerë, për të cilat ajo do të shprehë opinionin e saj më poshtë. Në këto kushte, ajo nuk sheh asnjë arsye që të ketë të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut të garantuara nga Konventa dhe Protokollet e saj e cila do të kërkonte, në pajtueshmëri me nenin 37 § 1 in fine, ndjekjen e shqyrtimit të kërkesës së kërkuesve të vdekur.
59. Si përfundim, Gjykata vendos të fshijë kërkesën nga regjistri për aë pjesë që ka të bëjë me kërkuesit Mohamed Abukar Mohamed dhe Hasan Shariff Abbirahman, dhe të ndjekë shqyrtimin e kërkesës për ata që mbeten.
B. Mbi shterrimin e rrugëve të brendshme të ankimit.
60. Në seancën para Dhomës së madhe, Qeveria ka mbrojtur papranueshmërinë e kërkesës për mos shterrim të rrugëve të brendshme të ankimit. Ajo ka vënë në dukje se kërkuesit nuk u ishin drejtuar gjykatave italiane për të fituar njohjen dhe dëmshpërblimin për shkeljet e pretenduara nga Konventa.
61. Sipas Qeverisë, kërkuesit, që janë tani të lirë për të lëvizur dhe kanë treguar se janë në gjendje të takojnë avokatët e tyre në kuadrin e procedurës para Gjykatës, do të duheshin të nisnin procedura ankimi para gjykatave penale italiane me qëllim që të ankoheshin për shkelje eventuale të së drejtës së brendshme dhe të drejtës ndërkombëtare nga ana e ushtarakëve të përfshirë në largimin e tyre. Aktualisht janë në vazhdim procedura penale në cështje të ngjashme dhe ky tip ankimi do të kishte një karakter « efektiv ».
62. Gjykata vë në dukje se kërkuesit ankohen gjithashtu se nuk kanë pasur një procedurë ankimi sipas kërkesave të nenit 13 të Konventës. Ajo mendon se ekziston një lidhje e ngushtë midis tezës së Qeverisë mbi këtë pikë dhe pranueshmërisë së ankesave të formuluara nga kërkuesit në fushën e kësaj dispozite. Ajo çmon se ka vend, pra, për ta lidhur këtë kundërshtim me thelbin e ankesave të nxjerra nga neni 13 i Konventës dhe për ta shqyrtuar në këtë kontekst (paragrafi 207 më poshtë).
II. MBI ÇËSHTJEN E JURIDIKSIONIT SIPAS NENIT 1 TË KONVENTËS
63. Sipas nenit 1 të Konventës :
« Palët e Larta kontraktuese i njohin çdo personi që varet nga juridiksioni i tyre të drejtat dhe liritë e përcaktuara sipas nenit 1 të (...) Konventës .
1. Tezat e palëve
a) Qeveria
64. Qeveria e paditur pranon se faktet e çështjes kanë ndodhur në bordin e anijeve ushtarake italiane. Megjithatë, ajo mohon se autoritetet italiane kanë ushtruar një « kontroll absolut dhe eskluziv » mbi kërkuesit.
65. Ajo nënvizon se kapja e barkave ku gjendeshin kërkuesit është pjesë e kontekstit të shpëtimit në det të hapur të personave në rrezik- që ka të bëjë me detyrimet e caktuara nga e drejta ndërkombëtare, d.m.th. nga Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të drejtën e detit (« Konventa e Montego Bay ») – dhe në asnjë rast, nuk do të mundte të ishte e kualifikuar për operacione të policisë detare.
Anijet italiane do të duhej të kufizoheshin me ndërhyrjen për t’u dhënë ndihmë tri barkave në vështirësi dhe për të siguruar personat që gjendeshin në bord. Më pas ata do t’i kthenin mbrapsht në Libi emigrantët e kapur, në pajtueshmëri me marrëveshjet dypalëshe të vititeve 2007 dhe 2009. Sipas Qeverisë, detyrimi për të shpëtuar jetë njerëzore në det të hapur ashtu si parashikohet në Konventën e Montego Bay nuk nënkupton në vetvete krijimin e një lidhjeje midis shtetit dhe personave në fjalë që mund të vendoste juridiksionin e këtij shteti.
66. Në kuadrin e « shpëtimit» të kërkuesve, që në tërësi nuk do të zgjaste më shumë se dhjetë orë, autoritetet do t’u kishin dhënë të interesuarve ndihmën humanitare dhe mjekësore të nevojshme dhe nuk do të kishin përdorur aspak dhunën ; ata nuk do të kishin hipur në bordin e anijes dhe nuk do të kishin përdorur armët. Qeveria ka dalë në përfundimin se kjo kërkesë ndryshon nga çështja Medvedyev dhe të tjerë kundër Francës ([GC], no 3394/03, 29 mars 2010), në të cilën Gjykata ka pohuar se kërkuesit vareshin nga juridiksioni i Francës duke marrë parasysh karakterin absolut dhe ekskluziv të kontrollit të ushtruar nga ai mbi një anije në det të hapur dhe mbi ekuipazhin e saj.
b) Kërkuesit
67. Kërkuesit çmojnë se juridiksioni i Italisë nuk mund të vihet në dyshim në këtë rast. Që nga ngjitja në bordin e anijeve italiane, ata do të gjendeshin nën kontrollin ekskluziv të Italisë e cila do të duhej që nga ai moment të respektonte tërësinë e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa dhe Protokollet e saj.
Ata vërejnë se neni 4 i kodit italian të lundrimit parashikon shprehimisht se anijet që lundrojnë me flamurin kombëtar janë kompetencë e juridiksionit të Italisë edhe kur ato lundrojnë përtej ujërave territoriale.
c) Ndërhyrësit e tretë
68. Ndërhyrësit e tretë mendojnë se, sipas parimeve të të drejtës ndërkombëtare të zakonshme dhe jurisprudencës së Gjykatës, detyrimet për shtetet për të mos dëbuar azilkërkuesit, edhe « potencialë » dhe për t’iu siguruar atyre një akses në procedurat e drejta, kanë një shtrirje ekstraterritoriale.
69. Sipas të drejtës ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së refugjatëve, kriteri vendimtar që duhet marrë parasysh për të caktuar përgjegjësinë e një shteti nuk do të ishte të dish nëse personi i prekur nga dëbimi gjendet në territorin e shtetit, por nëse ai varet nga kontrolli efektiv dhe nga autoriteti i këtij të fundit.
Ndërhyrësit e tretë i referohen jurisprudencës së Gjykatës për sa i përket nenit 1 të Konventës dhe shtrirjes ekstraterritoriale të nocionit të « juridiksionit », si dhe përfundimeve të instancave të tjera ndërkombëtare. Ata nënvizojnë domosdoshmërinë për të shmangur standardet e dyfishta në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe për të vepruar në mënyrë të tillë që një shtet të mos lejohet të bëjë, jashtë territorit të tij, akte që nuk do të pranoheshin kurrë brenda tij
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Parimet e përgjithshme që lidhen me juridiksionin në kuptimin e nenit 1 të Konventës
70. Sipas nenit 1 të Konventës, angazhimi i shteteve kontraktuese është tu « njohë» (në anglisht « to secure ») personave që varen nga « juridiksioni » i tyre të drejtat dhe liritë që janë numëruar këtu (Soering kundër Mbretërisë së Bashkuari, 7 korrikt 1989, § 86, seria A no 161, dhe Banković dhe të tjerë kundër Belgjikës dhe 16 të tjerë Shtete kontraktuese (vend.) [GC], no 52207/99, § 66, GJEDNJ 2001-XII). Ushtrimi i « juridiksionit » është një kusht i domosdoshëm që një shtet kontraktues të mund të bëhet përgjegjës për akte që i mvishen dhe që janë në origjinë të një pretendimi për shkelje të të drejtave dhe lirive të shprehura në Konventë (Ilaşcu dhe të tjerë kundër. Moldavisë dhe Rusisë [GC], no 48787/99, § 311, GJEDNJ 2004‑VII).
71. Juridiksioni i një shteti, në kuptimin e nenit 1, është kryesisht territorial (Banković, vendim i lartcituar, §§ 61 et 67, dhe Ilaşcu, i lartcituar, § 312). Ai mendohet të ushtrohet normalisht në tërësinë e territorit të tij (Ilaşcu dhe të tjerë, lartcituar, § 312 ; dhe Assanidzé kundër Gjeorgjisë [GC], no 71503/01, § 139, GJEDNJ 2004-II).
72. Në pajtueshmëri me karakterin kryesisht territorial të nocionit të juridiksionit, Gjykata ka pranuar vetëm në rrethana të jashtëzakonshme që aktet e shteteve kontraktuese të kryera ose që prodhojnë efekte jashtë territorit të tyre të mund të analizohen duke ushtruar ata vetë juridiksionin e tyre sipas nenit 1 të (Drozd dhe Janousek kundër Francës dhe Spanjës 26 qershor 1992, § 91, seria A no 240 ; Banković, vendim i lartcituar 67 ;dhe Ilaşcu dhe të tjerë i lartpërmendur, § 314).
73. Kështu, në vendimin e saj të parë Loizidou (përjashtime paraprake), Gjykata ka gjykuar, duke mbajtur parasysh objektin dhe qëllimin e Konventës, se një Palë kontraktuese mund të merrte përgjegjësinë e saj kur, për shkak të një veprimi ushtarak – të ligjshëm ose jo-, ajo do të ushtronte në praktikë kontrollin e saj në një zonë të jashtë territorit të tyre kombëtar (Loizidou kundër Turqisë (përjashtime paraprake) [GC], 23 mars 1995, § 62, seria A no 310), çka përjashtohet gjithsesi kur bëhet fjalë, si në çështjen Banković, për një akt ekstraterritorial të çastit, meqë teksti i nenit 1 nuk përshtatet me një konceptim shkakësor të nocionit të « juridiksionit » (vendim i lartpërmmendur § 75). Në çdo rast, për sa i përket fakteve të çështjes, për shembull, në rastin e kontrollit absolut dhe eksklusiv mbi një burg ose një anije, duhet vlerësuar ekzistenca e rrethanave që kërkojnë dhe justifikojnë që Gjykata të vendosë për ushtrimin ekstraterritorial të juridiksionit nga shteti (Al-Skeini dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 55721/07, § 132 dhe 136, 7 korrik 2011 ; Medvedyev dhe të tjerë, i lartcituar, § 67).
74. Që nga momenti që një shtet, përmes punonjësve të vet që operojnë jashtë territorit të tij, ushtron kontrollin dhe autoritetin e tij mbi një individ, dhe për rrjedhojë juridiksionin i tij, mbart sipas nenit 1 detyrimin për t’i njohur atij të drejtat dhe liritë që lidhen me rastin e tij të përcaktuara sipas Konventës. Në këtë kuptim, është pranuar tashmë nga Gjykata që të drejtat që burojnë nga Konventa mund të « fraksionohen dhe përshtaten » (Al-Skeini, i lartpërmendur, §§ 136 dhe 137 ; për krahasim shih Banković, i lartpërmendur, § 75).
75. Jurisprudenca e Gjykatës tregon raste të ushtrimit ekstraterritorial të kompetencës nga një shtet në çështjet që kanë të bëjnë me akte të kryera jashtë nga punonjës diplomatikë ose konsullorë, ose në bordin e mjeteve ajrore të regjistruara në shtetin në fjalë ose në anije që lundrojnë nën flamurin e tij. Në këto situata, Gjykata, duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare të zakonshme dhe në dispozitat që rrejdhin nga Konventa e ka njohur ushtrimin ekstraterritorial të juridiksionit të saj nga shteti i interesuar. (Banković, vendim i lartcituar, § 73, dhe Medvedyev dhe të tjerët, i paracituar, § 65).
b) Zbatimi në këtë rast
76. Para gjykatës nuk u kontestua se ngjarjet e çështjes kanë ndodhur në det të hapur, në bordin e anijeve ushtarake me flamur italian. Qeveria e paditur pranon nga ana tjetër se anijet e rojes së financave dhe rojet bregdetare ku janë hipur kërkuesit vareshin plotësisht nga juridiksioni i Italisë.
77. Gjykata nënvizon se sipas dispozitave të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare, një anije në det të hapur i nënshtrohet juridiksionit ekskluziv të shtetit flamurin e të cilit mban. Ky parim i të drejtës ndërkombëtare e shtyu Gjykatën të njohë, në çështjet që kanë të bëjnë me aktet e kryera në bordin e anijeve me flamurin e një shteti, sipas shembullit të avionëve të regjistruar, raste të ushtrimit ekstraterritorial të juridiksionit të këtj shteti (paragrafi 75 më lart). Që nga momenti që ka kontroll mbi tjetrin, bëhet fjalë për një kontroll de jure të ushtruar nga shteti në fjalë mbi individët e interesuar.
78. Gjykata nënvizon nga ana tjetër se ky parim është shkruar në të drejtën kombëtare, në nenin 4 të kodit italian të lundrimit dhe nuk është kontestuar nga qeveria e paditur (paragrafi 18 më lart). Ajo vendosi se rasti i çështjes përbën një rast të ushtrimit ekstraterritorial të juridiksionit të Italisë që mund të angazhojë përgjegjësinë e këtij shteti sipas Konventës.
79. Nga ana tjetër, Italia nuk do të mund ta shkëpuste « juridksionin » e saj nga kontrolli i Konventës duke i cilësuar faktet e çështjes si fakte të operacionit të shpëtimit në det të hapur. Në veçanti, Gjykata nuk do të mund të pranonte argumentin e Qeverisë sipas të cilit Italia nuk do të ishte përgjegjëse për fatin e kërkuesve për shkak të nivelit të ashtuquajtur të ulët të kontrollit që ushtronin autoritetet mbi të interesuarit në momentin e ngjarjes.
80. Nga kjo pikëpamje, mjafton të shohësh se në çështjen Medvedyev dhe të tjerë, i lartcituar, faktet e cështjes kishin ndodhur në bordin e anijes Winner, një anije me flamurin e një shteti të tretë por me ekuipazh të vënë nën kontrollin e ushtarakëve francezë. Në kushtet e veçanta të kësaj çështjeje, Gjykata ka shqyrtuar natyrën dhe rëndësinë e veprimeve të kryera nga punonjës francezë për të verifikuar nëse ekzistonte një kontroll, të paktën de facto, të vazhduar e të ndërprerë, të ushtruar nga Franca mbi anijen Winner dhe ekuipazhin e saj (po aty §§ 66 dhe 67).
81. Por, Gjykata vëren se në këtë çështje faktet kanë ndodhur plotësisht në bordin e anijeve të forcave të armatosura italiane, me ekuipazh të përbërë vetëm me ushtarakë vendas. Për mendimin e Gjykatës, që nga momenti kur kanë hipur në anijet e forcave të armatosura italiane e deri në dorëzimin te autoritetet libiane, kërkuesit kanë qenë nën kontrollin e vazhduar dhe ekskluziv si de jure dhe de facto të autoriteteve italiane. Asnjë spekulim që ka të bëjë me natyrën dhe qëllimin e ndërhyrjes së anijeve italiane në det të hapur nuk do të mund ta çonte Gjykatën në një tjetër përfundim.
82. Prandaj, faktet nga rrjedhin shkeljet e pretenduara janë kompetencë e « juridiksionit » të Italisë sipas nenit 1 të Konventës.
III. MBI SHKELJET E PRETENDUARA TË NENIT 3 TË KONVENTËS
83. Kërkuesit ankohen se dëbimi i ka rrezikuar të pësojnë tortura ose trajtime çnjerëzore dhe poshtëruese në Libi, si dhe në vendet e tyre të origjinës përkatëse, d.m.th, në Eritrea dhe në Somali. Ata i referohen nenit 3 të Konventës të formuluar kështu :
« Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, ndëshkimeve apo rajtimeve çnjerzore dhe poshtëruese.»
84. Gjykata vëren se neni 3 i Konventës hyn në lojë në dy aspekte të ndryshme, që duhen shqyrtuar veçmas. Së pari, për sa i përket rrezikut të kërkuesve për t’iu nënshtruar trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese në Libi dhe së dyti, për sa i përket rrezikut për t’u riatdhesuar në vendin e tyre të origjinës respektive.
A. Mbi shkeljen e pretenduar të nenit 3 të Konventës për faktin se kërkuesit kanë rrezikuar t’u nënshtrohen trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese në Libi.
1. Tezat e palëve
a) Kërkuesit
85. Kërkuesit pretendojnë se kanë qenë viktima të një dëbimi arbitrar në mospërputhje me Konventën. Ata pohojnë se nuk kanë pasur mundësi të kundërshtojnë kthimin e tyre në Libi dhe t’u kërkonin mbrojtje ndërkombëtare autoriteteve italiane.
86. Në mungesë të çdo informacioni për sa i përket destinacionit të tyre të vërtetë, kërkuesit i kishin bindur, gjatë gjithë udhëtimit në bordin e anijeve italiane se po i çonin në Itali. Nga kjo pikëpamje, ata do të kishin qenë viktimë e një « mashtrimi » të vërtetë nga ana e autoriteteve italiane.
87. Asnjë procedurë që synon të identifikojë emigrantët e kapur dhe të mbledhë informacione lidhur me situatën personale nuk do të kishte qenë e mundur në bordin e anijeve. Në këto kushte, asnjë kërkesë azili formale nuk mund të mendohet. Sidoqoftë, sapo arrijnë në afërsi të brigjeve libiane, kërkuesit si dhe një numër i madh emigrantësh të tjerë u ishin lutur ushtarakëve italianë të mos i zbarkonin në portin e Tripolit, nga ku kishin ikur dhe t’i çonin në Itali.
Kërkuesit pohojnë se e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre për të mos iu dorëzuar autoriteteve libiane. Ata e kundërshtojnë argumentin e Qeverisë sipas të cilit një kërkesë e tillë nuk mund të merret si një kërkesë që synon përfitimin e mbrojtjes ndërkombëtare.
88. Kërkuesit pohojnë më pas se janë dëbuar drejt një vendi ku kishte arsye të mjaftueshme të besohej se ata do t’i nënshtroheshin trajtimeve në kundërshtim me Konventën. Në fakt, shumë burime ndërkombëtare do t’i kishin bërë të ditura kushtet çnjerëzore dhe poshtëruese në të cilat emigrantët e parregullt, vecanërisht me origjinë somaleze dhe eritrease ishin burgosur në Libi dhe kushtet e jetesës së pasigurt që u ishin rezervuar klandestinëve në këtë vend.
Kërkuesit i referohen lidhur me këtë raportit të CPT-së në prill 2010 si dhe teksteve të dokumenteve të prodhuara nga palët e treta lidhur me gjendjen në Libi.
89. Kjo situatë, që vetëm do të përkeqësohej më pas, nuk mund sipas tyre të injorohej nga Italia në momentin e përfundimit të marrëveshjejeve dypalëshe me Libinë dhe të ekzekutimit të dëbimit të kontestuar.
90. Nga ana tjetër, frika dhe shqetësimet e kërkuesve u vërtetua se ishin të bazuara. Ata të gjithë kishin raportuar për kushte burgimi çnjerëzore dhe pas lirimit të tyre, për kushte të një jete të pasigurt që lidhej me statusin e tyre si emigrantë të parregullt.
91. Kërkuesit mendojnë se vendimi për t’i kthyer mbrapsht në Libi klandestinët e kapur në det të hapur përbën një zgjedhje të pastër politike të Italisë që synon të privilegjojë një menaxhim policor të emigracionit klandestin duke mos marrë parasysh mbrojtjen e të drejtave themelore të personave në fjalë.
b) Qeveria
92. Qeveria pohon që në fillim se kërkuesit nuk e kanë provuar si duhet ekzistencën e trajtimeve që kanë pësuar, siç pretendojnë, në kundërshtim me Konventën. Pra, ata nuk mund të konsiderohen si « viktima » në kuptimin e nenit 34 të Konventës.
93. Më pas, ajo pohon se transferimi i kërkuesve në Libi është kryer sipas marrëveshjeve dypalëshe të nënshkruara në vitet 2007 dhe 2009 nga Italia dhe Libia. Këto marrëveshje dypalëshe hyjnë në një kontekst të lëvizjeve migratore në rritje midis Afrikës dhe Evropës dhe janë bërë në një frymë bashkëpunimi midis dy vendeve të angazhuara në luftën kundër emigracionit klandestin.
94. Bashkëpunimi midis vendeve mesdhetare në fushën e kontrollit të emigracionit dhe të luftës kundër krimeve të lidhura me imigracionin klandestin është inkurajuar shumë herë nga organet e Bashkimit Evropian. Qeveria i referohet veçanërisht Rezolutës së Parlamentit Evropian no 2006/2250 si dhe Paktit evropian mbi imigracionin dhe azilin të hartuara nga Këshilli evropian në 24 shtator 2008 që afirmojnë nevojën që kanë vendet e BE të bashkëpunojnë dhe të vendosin partneritete me vendet e origjinës dhe të tranzitit me qëllim që të forcojnë kontrollin e kufijve të jashtëm të BE dhe të luftojnë kundër imigrimit klandestin.
95. Për sa i përket ngjarjeve të 6 majit 2009, në origjinë të kësaj kërkese, Qeveria i qëndron faktit se bëhej fjalë për një operacion shpetimi në det të hapur në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare. Ajo pohon se anijet ushtarake italiane ndërhynë në përputhje me Konventën e Montego Bay dhe me Konventën ndërkombëtare mbi kërkimin dhe shpëtimin në det (« Konventa SAR »), për t’i bërë ballë gjendjes së rrezikut imediat në të cilin gjendeshin barkat dhe për të shpëtuar jetën e kërkuesve dhe emigrantëve të tjerë.
Sipas mendimit të Qeverisë, regjimi juridik në det të hapur karakterizohet nga parimi i lirisë së lundrimit. Në këtë kontekst, nuk do të kishte vend për të bërë identifikimin e personave në fjalë. Autoritetet italiane do të mjaftoheshin duke u dhënë ndihmën humanitare të nevojshme të interesuarve. Kontrolli i kërkuesve do të ishte reduktuar në minimum përderisa në bordin e anijeve nuk parashikohet një operacion i policisë detare.
96. Gjatë transferimit të tyre në Libi, kërkuesit nuk kanë shfaqur në asnjë çast qëllimin për të kërkuar azil politik ose një formë tjetër të mbrojtjes ndërkombëtare. Sipas Qeverisë, një kërkesë eventuale e shprehur nga kërkuesit me qëllim që ata të mos u dorëzoheshin autoriteteve libiane nuk do të mund të interpretohej si një kërkesë për azil.
Në këtë drejtim, ajo pohon se në rastin e kërkesës së azilit të interesuarit do të ishin çuar në territorin kombëtar, ashtu si kishte ndodhur në operacione të tjera në det të hapur të praktikuara në vitin 2009.
97. Qeveria pohon më pas se Libia është një vend pritës i sigurt. Ajo jep si provë faktin se ky shtet ka ratifikuar paktin ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara lidhur me të drejtat civile dhe politike, Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër torturës dhe ndëshkimeve të tjera ose trajtimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese dhe Konventën e Bashkimit afrikan mbi refugjatët në Afrikë si dhe përkatësinë e saj në Organizatën ndërkombëtare për emigrantët (OIM).
Pa qenë pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara lidhur me statusin e refugjatëve, Libia gjithsesi i ka lejuar HCR dhe OIM të hapin zyra në Tripoli, çka ka lejuar t’u jepet statusi i refugjatëve shumë azilkërkuesve dhe t’u garantohet një mbrojtje ndërkombëtare.
98. Qeveria i tërheq vëmendjen Gjykatës mbi faktin se në ratifikimin e Traktatit të miqësisë së vitit 2008, Libia u angazhua në mënyrë të posaçme të respektonte parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës universale të të drejtave të njeriut. Italia nuk kishte asnjë arsye të mendonte se Libia do të anashkalonte angazhimet e saj.
Kjo rrethanë dhe fakti se zyrat e HCR-së dhe të OIM –it ishin aktive dhe të pranishme në Tripoli justifikonte plotësisht bindjen e Italisë se Libia ishte një vend pritës i sigurt për emigrantët e kapur në det të hapur. Qeveria mendon madje se njohja e statusit të refugjatit nga HCR-ja për shumë azilkërkues, përfshi këtu edhe disa nga kërkuesit, provon pa dyshim se situata në Libi në kohën e ngjarjes ishte në përputhje me normat ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut
99. Qeveria pranon se situata në Libi është përkeqësuar qysh nga prilli 2010, epokë kur autoritetet e mbyllën zyrën e HCR-së në Tripoli, më pas është keqësuar përfundimisht me ngjarjet e fillimit të vitit 2011, por ajo nënvizon se Italia ka ndaluar menjëherë kthimin e klandestinëve në Libi dhe ka ndryshuar modalitetet e ndihmës për emigrantët në det të hapur duke lejuar që nga ajo kohë hyrjen në territorin kombëtar.
100. Qeveria konteston ekzistencën e një « praktike qeveritare » që do të konsistonte, si pohojnë kërkuesit, në kthimet arbitrare në Libi. Nga kjo pikëpamje, ajo e cilëson kërkesën si « manifest politik dhe ideologjik » kundrejt veprimit të qeverisë italiane. Kjo e fundit dëshiron që Gjykata të mjaftohet vetëm me shqyrtimin e ngjarjeve të 6 majit 2009 dhe të mos vëjë në dyshim prerogativat e Italisë në fushën e kontrollit të emigracionit, fushë sipas saj jashtëzakonisht e ndjeshme dhe e ndërlikuar.
c) Ndërhyrësit e tretë
101. Duke u mbështetur në deklaratat e shumë dëshmitarëve të drejtpërdrejtë, Human Rights Watch dhe HCR-ja denoncojnë dëbimin e detyruar të klandestinëve drejt Libisë nga ana e Italisë. Gjatë vitit 2009, Italia ka praktikuar nëntë operacione në det të hapur, duke kthyer në Libi 834 persona me kombësi somaleze, eritrease ose nigeriane.
102. Human Rights Watch ka denoncuar situatën në Libi shumë herë veçanërisht përmes raporteve të publikuara në vitet 2006 dhe 2009. Kjo organizatë pohon se në mungesë të çdo sistemi kombëtar për azilin në Libi, emigrantët e parregullt arrestohen sistematikisht dhe shpesh bëhen objekt i torturave dhe dhunës fizike, përfshi këtu përdhunimin. Duke mos marrë parasysh direktivat e Kombeve të Bashkuara në fushën e burgimit, klandestinët do të burgosen pa kufij në kohë dhe pa asnjë kontroll gjyqësor. Përvec kësaj, kushtet e burgimit do të ishin çnjerezore. Emigrantët do të torturoheshin dhe asnjë ndihmë mjekësore nuk ishte siguruar në kampet e ndryshme të vendit. Ata mund të ktheheshin në çdo kohë drejt vendit të origjinës ose të braktiseshin në shkretëtirë, ku i priste vdekja e sigurt.
103. Qendra AIRE, Amnesty International dhe FIDH nënvizojnë se, qysh prej dhjetë vjetësh, raportet nga burime të besueshme tregojnë në mënyrë të vazhdueshme se situata në fushën e të drejtave të njeriut në Libi është katastrofike, veçanërisht për refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët dhe në mënyrë të veçantë për personat që vijnë nga disa rajone të Afrikës të tilla si Eritrea dhe Somalia.
Tri palët ndërhyrëse mendojnë se ekziston një « detyrim investigimi » kur ka informacione të besueshme nga burime të sigurta sipas të cilave kushtet e burgimit ose të jetesës në vendin pritës nuk përputhen me nenin 3.
Në pajtueshmëri me parimin pacta sunt servanda, një shtet nuk mund të anashkalojë detyrimet e imponuara nga Konventa duke u bazuar në angazhimet që rrjedhin nga marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe në fushën e luftës kundër emigracionit klandestin.
104. HCR-ja afirmon se, megjithëse autoritetet italiane nuk kanë dhënë informacione të detajuara lidhur me operacionet e dëbimit, shumë dëshmitarë të dëgjuar nga Komisariati i Lartë kanë dhënë një version të ngjashëm me atë të kërkuesve. Në veçanti, këta persona kanë raportuar se për të nxitur personat që të hipnin në bordin e anijeve italiane u kishin lënë të mendonin se po i shpinin në Itali. Shumë dëshmitarë kishin deklaruar se i kishin prangosur dhe kishin ushtruar dhunë mbi ta gjatë transferimit drejt territorit libian ose sapo kishin mbërritur në qendrën e ndalimit. Nga ana tjetër, autoritetet italiane kanë konfiskuar sendet personale të emigrantëve, duke përfshirë këtu certifikatat e HCR-së që provonin statusin e tyre të refugjatit. Shumë dëshmitarë kanë konfirmuar përveç kësaj se ata këkronin mbrojtje dhe se ua kishin thënë shprehimisht këtë autoriteteve italiane gjatë operacioneve.
105. HCR-ja pohon se të paktën pesë emigrantëve të dëbuar në Libi që më pas kanë mundur të kthehen në Itali, ndër të cilët Z. Ermias Berhane, u është dhënë statusi i refugjatit në Itali. Për më tepër, në vitin 2009, zyra e HCR-së e Tripolit ua kishte dhënë të drejtën e refugjatit shtatëdhjetë e tre personave të dëbuar nga Italia, nga të cilët katërmbëdhjetë janë kërkues. Kjo përbën provën se operacionet e kryera nga Italia në det të hapur nënkupton një rrezik real për dëbimin arbitrar të personave që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
106. HCR-ja mendon se asnjë nga argumentet e parashtruar nga Italia për të justifikuar dëbimet nuk mund të pranohet. As parimi i bashkëpunimit midis shteteve për luftën kundër trafikut të paligjshëm të emigrantëve, as dispozitat që burojnë nga e drejta ndërkombëtare e detit në fushën e shpëtimit të jetës njerëzore në det nuk do t’i çlironte shtetet nga detyrimi i tyre për të respektuar parimet e të drejtës ndërkombëtare.
107. Libia, vend tranziti dhe vendmbërritje e fluksit të emigrantëve që vijnë nga Azia dhe Afrika, nuk siguron asnjë formë mbrojtjeje për azilkërkuesit. Megjithëse nënshkruese e një numri instrumentesh ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, ajo nuk i zbaton aspak detyrimet e saj. Në mungesë të një sistemi kombëtar të të drejtës së azilit, veprimtaritë në këtë fushë do të kryheshin vetëm nga HCR-ja dhe partnerët e saj. Megjithatë, veprimi i Komisariatit të Lartë nuk do të ishte pranuar kurrë zyrtarisht nga qeveria libiane e cila në prill 2010, i kishte njoftuar HCR-së urdhërin për të mbyllur zyrën e saj në Tripoli dhe për të ndërprerë aktivitetet e saj.
Duke marrë parasysh këtë kontekst, qeveria libiane nuk do t’u jepte asnjë status formal personave që janë regjistruar si refugjatë nga HCR-ja dhe nuk do t’u grantonte asnjë formë mbrojtjeje.
108. Deri në ngjarjet e vitit 2011, personat e konsideruar si emigrantë të paligjshëm mbaheshin të burgosur në « qendra të bllokimit » shumica e të cilave u vizituan nga HCR-ja. Këto qendra ofrojnë kushte jetese shumë të këqija të karakterizuara nga mbipopullimi dhe instalime sanitare të papërshtatshme. Kjo situatë u përkeqësua nga operacionet e dëbimit që e theksuan mbipupullimin dhe sollën për pasojë përkeqësimin e mëtejshëm të kushteve sanitare çka shkaktoi një nevojë të madhe për ndihmën bazë me qëllim vetëm mbijetesën e personave.
109. Sipas Columbia Law School Human Rights Clinic, nëse emigracioni klandestin nga deti nuk është një fenomen i ri, bashkësia ndërkombëtare pranon gjithnjë e më shumë nevojën për të kufizuar praktikat e kontrollit të emigracionit, duke përfshirë këtu kapjen në det, që mund të pengojë aksesin e emigrantëve për mbrojtje si dhe kështu t’i ekspozojë ata ndaj rrezikut të torturës.
2. Vlerësimi i gjykatës
a) Mbi pranueshmërinë
110. Qeveria mendon se kërkuesit nuk mund të pretendojnë se janë « viktima » sipas nenit 34 të Konventës, nisur nga faktet që denoncojnë. Ajo kundërshton ekzistencën e një rreziku real, për kërkuesit, se mund të pësojnë trajtime çnjerëzore dhe poshtëruese pas dëbimit të tyre. Vlerësimi i ekzistencës së një një rreziku të tillë do të duhej të bëhej në bazë të fakteve serioze dhe të provuara përsa i përket situatës së çdo kërkuesi. Por, informacionet e dhëna nga të interesuarit ishin të paqarta dhe të pamjaftueshme.
111. Gjykata çmon se çështja e ngritur nga ky kundërshtim lidhet ngushtë me me ato që ajo do të duhet të trajtojë gjatë shqyrtimit të pranueshmërisë së ankesave (të nxjerra nga neni 3 i Konventës. Kjo dispozitë e detyron veçanëririsht Gjykatën të provojë se kishte asrye serioze dhe të sigurta të besohet se të interesuarit rrezikonin realisht t’i nënshtroheshin torturës ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese pas dëbimit të tyre. Prandaj është mirë që kjo çështje të lidhet me shqyrtimin e themelit.
112. Gjykata mendon se kjo pjesë e kërkesës shtron çështje komplekse të faktit dhe të të drejtës, të cilat nuk mund të zgjidhen veçse pas një shqyrtimi të themelit; nga kjo del se kërkesa nuk është dukshëm e paarsyeshme sipas nenit 35 § 3 a) të Konventës. Asnjë arye tjetër për mospranueshmëri nuk është nënvizuar, pra mund të deklarohet e pranueshme.
b) Mbi themelin
i. Parime të përgjithshme
α) Përgjegjësia e shteteve kontraktuese në në rast dëbimi.
113. Sipas jurisprudencës së zakonshme të Gjykatës, shtetet kontraktuese kanë, sipas një parimi të qëndrueshëm të të drejtës ndërkombëtare, pa folur për angazhimet e tyre që burojnë nga traktatet, përfshi këtu Konventën, të drejtën për të kontrolluar hyrjen, qëndrimin dhe largimin e shtetasve të huaj (shih, ndër shumë të tjera, Abdulaziz, Cabales dhe Balkandali kundër Mbretërisë së Bashkuar, 28 maj 1985, § 67, seria A no 94 ; dhe Boujlifa kundër Francës, 21 tetor 1997, § 42, Përmbledhje e vendimeve dhe gjykimeve 1997-VI). Gjykata nënvizon gjithashtu se as Konventa as Protokollet e saj nuk sanksionojnë të drejtën e azilit politik (Vilvarajah dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 30 tetor 1991, § 102, seria A no 215 ; dhe Ahmed kundër Autstrisë, 17 dhjetor 1996, § 38, Përmbledhje 1996-VI).
114. Megjithatë, dëbimi, ekstradimi ose çdo masë tjetër e largimit të një të huaji nga një shtet kontraktues mund të ngrejë një problem nga këndëvështrimi i nenit 3, pra të bëjë përgjegjës shtetin në fjalë sipas konventës kur ka arsye serioze dhe të sigurta të besohet se i interesuari,
nëse e çojnë drejt vendit të destinacionit do të rrezikojë aty realisht t’i nënshtrohet një trajtimi në kundërshtim me nenin 3. Në këtë rast, neni 3 shtron detyrimin për të mos e dëbuar personin në fjalë drejt këtij vendi (Soering, i lartpërmenur, §§ 90-91 ; Vilvarajah dhe të tjerë, i lartpërmendur § 103 ; Ahmed, i lartpërmendur, § 39 ; H.L.R. kundër. Francës, 29 prill 1997, § 34, Përmbledhje 1997-III ; Jabari kundër Turqisë, no 40035/98, § 38, GJEDNJ 2000-VIII ; dhe Salah Sheekh kundër Vendeve të Ulëta, no 1948/04, § 135, 11 janar 2007).
115. Në këtë tip çështjesh, Gjykatës i bëhet thirrje të vlerësojë situatën në vendin e destinacionit sipas kërkesave të nenit 3. Për aq sa mbahet ose mund të mbahet përgjegjësi në fushën e Konventës, ajo është përgjegjësia e shtetit kontraktues, e kreut të një akti që ka për pasojë të drejtpërdrejtë të rrezikojë dikë për keqtrajtime të ndaluara. (Saadi kundër Italisë [GC], no 37201/06, § 126, 28 shkurt 2008).
β) Të dhënat e përdorura për të vlerësuar rrezikun për të pësuar trajtime në kundërshtim me nenin 3 të Konventës.
116. Për të përcaktuar ekzistencën e arsyeve serioze dhe të sigurta për të besuar një rrezik real për trajtime në kundërshtim me nenin 3, Gjykata mbështetet mbi tërësinë e të dhënave që i jepen, ose në rast nevoje ajo i siguron ato automatikisht. (H.L.R. kundër Francësi lartpërmendur, § 37; dhe Hilal kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 45276/99, § 60, GJEDNJ 2001-II). Në çështje të tilla si kjo, Gjykata në fakt duhet të zbatojë kritere të rrepta për të vlerësuar ekzistencën e një rreziku të tillë. (Chahal kundër Mbretërisë së Bashkuar, 15 nëntor 1996, § 96, Përmbledhje1996‑V).
117. Për të verifikuar ekzistencën e një rreziku për keqtrajtime, Gjykata duhet të shqyrtojë pasojat e mundshme të një dëbimi të një kërkuesi në një vend destinacioni, duke marrë parasysh gjendjen e përgjithshme të këtij vendi dhe rrethanat specifike të rastit të të interesuarit. (Vilvarajah dhe të tjerë, i lartpërmendur, § 108 in fine).
118. Për këtë qëllim, për sa i përket gjendjes së përgjithshme të një vendi, Gjykata shpesh i ka kushtuar vëmendje informacioneve të raporteve të kohëve të fundit që vijnë nga shoqatat ndërkombatëre të pavarura në mbrojtje të të drejtave të njeriut të tilla Amnesty International, ose burime qeveritare (shih, për shembull, Chahal, i lartpërmenur, §§ 99-100 ; Müslim kundër Turqisë, no 53566/99, § 67, 26 prill 2005 ; Said kundër Vendeve të Ulëta, no 2345/02, § 54, GJEDNJ 2005-VI ; Al-Moayad kundër Gjermanisë (vend.), no 35865/03, §§ 65-66, 20 shkurt 2007 ; dhe Saadi, i lartcituar, § 131).
119. Në çështjet ku një kërkues pretendon se bën pjesë në një grup sistematikisht të rrezikuar ndaj praktikimit të keqtrajtimeve, Gjykata vlerëson se mbrojtja e nenit 3 hyn në veprim kur i interesuari tregon, sipas rastit me ndihmën e burimeve të përmendura në paragrafin më lart, se ka arsye serioze dhe të sigurta të besohet në ekzistencën e praktikimit në fjalë dhe në përkatësinë në një grup të dhënë (shih, mutatis mutandis, Salah Sheekh, i lartpërmendur, §§ 138-149).
120. Për shkak të karakterit absolut të të drejtës së garantuar, nuk përjashtohet që neni 3 të mund të zbatohet edhe kur rreziku vjen nga persona ose grupe personash që nuk janë në funksione publike. Në këtë rast duhet provuar që rreziku ekziston realisht dhe se autoritetet e shtetit të destinacionit nuk janë në gjendje ta pengojnë atë përmes një mbrojtjeje të përshtatshme. (H.L.R. kundër Francës, i lartcituar, § 40).
121. Për sa i përket momentit që duhet marrë parasysh, u duhet referuar me përparësi rrethanave për të cilat shteti në fjalë kishte ose duhet të kishte dijeni në çastin e largimit.
ii. Zbatimi në këtë rast
122. Gjykata ka pasur tashmë rastin të pranojë se shtetet që ndodhen në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian hasin aktualisht vështirësi të mëdha për të përballuar një fluks në rritje emigrantësh dhe azilkërkuesish. Ajo nuk mund të nënvlerësojë peshën dhe presionin që rëndon në vendet në fjalë, e cila bëhet gjithnjë e më e rëndë në një kontekst të krizës ekonomike (shih Z.S.S. kundër Belgjikës dhe Greqisë [GC], no 30696/09, § 223, 21 janar 2011). Në veçanti, ajo është e ndërgjegjshme për vështirësitë që lidhen me fenomenin e emigrantëve nga deti, duke sjellë për shtetet ndërlikime shtesë në kontrollet e kufijve të jugut të Evropës.
Megjithatë, duke u nisur nga karakateri absolut i të drejtave të garantuara nga neni 3, kjo nuk do të mund ta çlironte një shtet nga detyrimet e tij ndaj kësaj dispozite.
123. Gjykata kujton se mbrojtja kundër trajtimeve të ndaluara nga neni 3 i venods një shteti detyrimin për të mos e larguar një person kur në shtetin e destinacionit ai rrezikon realisht t’u nënshtrohet trajtimeve çnjerëzore. Ajo konstaton se shumë raporte të organeve ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare përshkruajnë një situatë shqetësuese përsa i përket trajtimit që i priste në Libi emigrantët klandestinë në kohën e ngjarjeve. Përfundimet e këtyre dokumenteve nga ana tjetrër konfirmohen nga raporti i CPT-së në 28 prill 2010 (paragrafi 35 më lart).
124. Gjykata vëren se situata në Libi më pas është përkeqësuar, pas mbylljes së zyrës së HCR-së në Tripoli, në prill 2010, dhe më pas nga revolta popullore që shpërtheu në vend në shkurt 2011. Megjithatë, me qëllim që të shqyrtohet kjo çështje, ajo i referohet situates që mbizotëronte në vend në kohën e ngjarjeve
125. Sipas raporteve të ndryshme të lartpërmendur, gjatë periudhës në fjalë asnjë rregull mbrojtjeje për refugjatët nuk është respektuar në Libi ; të gjithë personat që kanë hyrë në vend me mjete të parregullta konsiderohen si klandestinë, pa asnjë dallim midis emigrantëve të parregullt dhe azilkërkuesve. Për rrjedhojë, këta persona arrestohen sistematikisht dhe burgosen në vende me kushte që vizitorët e huaj, si delegacionet e HCR-së, së Human Rights Watch, dhe d’Amnesty International, nuk ngurrojnë t’i cilësojnë çnjerëzore. Shumë raste torture, kushtesh të këqija higjene dhe mungesë e shërbimeve mjekësore të domosdoshme janë denoncuar nga vëzhguesit. Klandestinët rrezikonin në çdo çast të dëboheshin drejt vendit të tyre të origjinës dhe kur arrinin të rifitonin lirinë, ata rrezikonin të kishin kushte jetese shumë të pasigurta për shkak të situatës së tyre të parregullt. Emigrantët e parregullt, si kërkuesit, ishin të destinuar të mbeteshin të mënjanuar dhe të izoluar në shoqërinë libiane që i bënte ata jashtëzakonisht të cënueshëm ndaj akteve ksenofobe dhe raciste (paragrafët 35-41 më lart).
126. Por, nga këto raporte del qartë se emigrantët klandestinë të zbarkuar në Libi, pas kapjes së tyre në det të hapur nga Italia, ashtu si kërkuesit, nuk i shpëtojnë këtyre rreziqeve.
127. Përballë një tabloje shqetësuese të përshkruar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, qeveria e paditur pretendon se Libia, në kohën e ngjarjeve, ishte një vend destinacioni « i sigurtë » për emigrantët e kapur në det të hapur.
Ajo e mbështet bindjen e saj në supozimin se Libia ka respektuar angazhimet e saj ndërkombëtare në fushën e azilit dhe të mbrojtjes së refugjatëve, përfshirë këtu parimin e mosdëbimit. Ajo vë në dukje se Traktati i miqësisë italo-libian i vitit 2008, sipas të cilit janë kryer dëbime të refugjatëve, parashikonte shprehimisht respektimin e dispozitave të së drejtës ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, ashtu si konventat e tjera ndërkombëtare ku Libia ishte palë.
128. Nga kjo pikëpamje, gjykata vëren se mosrespektimi nga ana e Libisë i detyrimeve ndërkombëtare ishte një nga realitetet e denoncuara nga raportet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me këtë vend. Sidoqoftë, Gjykata mund të pohojë vetëm se ekzistenca e teksteve të brendshme dhe ratifikimi i traktateve ndërkombëtare që garantojnë respektimin e të drejtave themelore nuk mjaftojnë për të siguruar një mbrojtje adekuate kundër rrezikut të keqtrajtimeve kur, si në këtë rast, burime të besueshme konfirmojnë praktika të autoriteteve – ose të lejuara prej tyre – dukshëm në kundërshtim me parimet e Konventës.(shih M.S.S., i lartcituar, § 353 dhe , mutatis mutandis, Saadi, i lartcituar, § 147).
129. Nga ana tjetër, Gjykata vëren se Italia nuk do të mund të çlirohej nga përgjegjësia e saj duke përmendur detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dypalëshe me Libinë. Në fakt, edhe sikur këto marrëveshje të parashikonin shprehimisht dëbimin në Libi të emigrantëve të kapur në det të hapur, shtetet anëtare mbeten përgjegjëse kur edhe pse ka hyrë në fuqi Konventa dhe Protokollet e saj në këtë drejtim, ata përmbushin angazhimet që burojnë nga traktatet (Prince Hans-Adam II i Liechtenstein-it kundër Gjermanisë [GC], no 42527/98, § 47, GJEDNJ 2001‑VIII ; dhe Al-Saadoon dhe Mufdhi kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 61498/08, § 128, 2 mars 2010).
130. Për sa i përket argumentit të Qeverisë të nxjerë nga prania e zyrës së HCR-së në Tripoli, duhet konstatuar se aktiviteti i Komisariatit të Lartë, edhe para ndërprerjes përfundimtare në prill 2010, nuk është njohur kurrë nga ana e qeverisë libiane. Nga këto dokumente të shqyrtuara nga Gjykata del se statusi i refugjatit njohur nga HCR-ja nuk garantonte asnjë formë mbrojtjeje personave në fjalë në Libi.
131. Gjykata tregon edhe një herë se ky realitet është i dukshëm dhe lehtësisht i verifikueshëm nga burime të ndryshme. Pra, ajo vlerëson se në momentin që po largonin kërkuesit, autoritetetet italiane e dinin ose duhej ta dinin se këta të fundit, si emigrantë të parregullt, në Libi rrezikonin trajtime në kundërshtim me Konventën dhe nuk mund të kishin asnjë formë mbrojtjeje në këtë vend.
132. Qeveria pohon se kërkuesit nuk i kanë përmendur aq qartësisht sa duhej rreziqet e tyre në Libi, përderisa nuk kanë kërkuar azil pranë autoriteteve italiane. Fakti i thjeshtë që kërkuesit kanë kundërshtuar zbarkimin e tyre në brigjet libiane sipas saj nuk mund të konsiderohet si një kërkesë për mbrojtje në mënyrë që Italia të kishte detyrimin sipas nenit 3 të Konventës.
133. Gjykata vëren së pari se kjo rrethanë është kontestuar nga të interesuarit, të cilët kanë afirmuar se ua kishin bërë të ditur ushtarakëve italianë qëllimin e tyre për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Nga ana tjetër, versioni i kërkuesve konfirmohet nga shumë dëshmi të mbledhura nga HCR dhe Human Rights Watch. Sidoqoftë, Gjykata mendon se u takonte autoriteteve kombëtare në një situatë të mosrespektimit sistematik të të drejtave të njeriut ashtu si përshkruhen më lart, të hetonin mbi trajtimin që kishin pësuar kërkuesit pas dëbimit të tyre (shih, mutatis mutandis, Chahal kundër Mbretërisë së Bashkuar, i lartpërmendur, §§ 104 et 105 ; Jabari, i lartpërmendur, §§ 40 et 41 ; dhe M.S.S., i lartpërmendur, § 359). Fakti që të interesuarit nuk kanë kërkuar shprehimisht azil, duke pasur parasysh rastin, nuk e çliron Italinë nga respektimi i detyrimeve të saj sipas nenit 3.
134. Nga kjo pikëpmje, Gjykata vëren se asnjë nga dispozitat e të drejtës ndërkombëtare të cituara nga Qeveria nuk e justifikon dërgimin kërkuesve drejt Libisë, përderisa si normat në fushën e mbrojtjes së personave në det ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me luftën kundër trafikimit të personave kërkojnë që shtetet të respektojnë detyrimet që burojnë nga e drejta ndërkombëtare në fushën e refugjatëve, si « parimi i mosdëbimit » (paragrafi 23 më lart)
135. Parimi i mosdëbimit sanksionohet gjithashtu nga neni 19 i Kartës së të drejtave themelore të Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, Gjykata i jep një peshë të veçantë përmbajtjes së letrës së shkruar në 15 maj 2009 nga Z.Jacques Barrot, nënkryetar i Komisionit Evropian, në të cilën ky i fundit përsërit rëndësinë e respektimit të parimit të mosdëbimit në kuadrin e operacioneve të kryera në det të hapur nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (paragrafi 34 më lart).
136. Gjykata vlerëson se në këtë rast, fakte serioze dhe të vërtetuara lejojnë të arrihet në përfundimin se në Libi ekzistonte një rrezik real që të inteesuarit t’i nënshtroheshin trajtimeve në kundërshtim me nenin 3. Rrethana që shumë emigrantë të parregullt në Libi ishin në të njëjtën situatë si kërkuesit nuk e ndryshon karakterin individual të rrezikut të pretenduar, përderisa ai vërtetohet mjaftueshmërisht si konkret dhe i mundshëm (shih mutatis mutandis, Saadi, i lartpërmendur, § 132).
137. Duke u bazuar në këto përfundime dhe në detyrat që rëndojnë mbi shtetet sipas nenit 3, Gjykata mendon se duke i transferuar kërkuesit drejt Libisë, autoritetet italiane i kanë ekspozuar me dijeni të plotë ndaj trajtimeve që shkojnë ndesh me Konventën.
138. Pra, është mirë të hidhet poshtë kundërshtimi i Qeverisë për t’i cilësuar kërkuesit si viktima dhe të arrihet në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës.
B. Mbi shkeljen e pretenduar të nenit 3 të Konventës se kërkuesit kanë rrezikuar të riatdhesohen arbitrarisht në Eritrea dhe në Somali.
1. Tezat e palëve
a) Kërkuesit
139. Kërkuesit pretendojnë se transferimi i tyre drejt Libisë, ku refugjatët dhe azilkërkuesit nuk gëzojnë asnjë formë mbrojtjeje, i ka rrezikuar të dëboheshin në vendet e tyre respektive të origjinës, Somali dhe Eritrea. Ata vënë në dukje se shumë raporte nga burime ndërkombëtare pohojnë në këto dy vende ekzistojnë kushteve që bien ndesh me të drejtat e njeriut.
140. Kërkuesit, që kanë ikur ngë vendet e tyre respektive, pohojnë se janë privuar nga çdo mundësi për të pasur një mbrojtje ndërkombëtare. Fakti që shumica e tyre kanë marrë statusin e refugjatit pas mbërritjes së tyre në Libi konfirmon që frika e tyre se mund të pësonin keqtrajtime, është e bazuar. Ata mendojnë se, megjithëse statusi i refugjatit i dhënë nga zyra e HCR-së së Tripolit nuk ka asnjë vlerë për autoritetet libiane, dhënia e këtij statusi tregon se grupi i emigrantëve ku ata bënin pjesë kishte nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
b) Qeveria
141. Qeveria vë në dukje se Libia ishte nënshkruese e shumë instrumenteve ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe kujton se, duke ratifikuar traktatin e miqësisë të vitit 2008, ajo ishte angazhuar shprehimisht për të respektuar parimet e shkruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në Deklaratën e të drejtave të njeriut.
142. Qeveria riafirmon se prania e HCR-së në Libi përbën një siguri në kuptimin që asnjë person që ka të drejtën e azilit ose të një forme tjetër mbrojtjeje ndërkombëtare nuk mund të dëbohet arbitrarisht. Ajo nënvizon se një numër i madh kërkuesish kanë marrë statusin e refugjatit në Libi, çka nuk do të lejonte riatdhesimin e tyre.
ç) Ndërhyrësit e tretë.
143. HCR-ja pohon se Libia ka kryer shpesh kthime kolektive të refugjatëve dhe të azilkërkuesve drejt vendeve të tyre të origjinës, ku ata mund t’i nënshtroheshin torturës ose keqtrajtimeve të tjera. Ajo denoncon mungesën e një sistemi të mbrojtjes ndërkombëtare në Libi, çka do të shkaktonte një rrezik shumë të lartë për « dëbime zinxhir » të personave që kanë nevojë për mbrojtje.
Komisariati i Lartë si dhe Human Rights Watch dhe Amnesty International bëjnë të ditur se individët e riatdhesuar me forcë në Eritrea dhe Somali, rrezikojnë t’i nënshtrohen torturës dhe trajtimeve çnjerëzore si dhe kushteve të jetesës jashtëzakonisht të pasigurta.
144. Qendra AIRE, Amnesty International dhe FIDH pohojnë se, duke marrë parasysh cënueshmërinë e veçantë të azilkërkuesve dhe të personave të kapur në det të hapur dhe në mungesë të garancive ose të procedurave adekuate në bordin e anijeve që do të lejonin të kundërshtoheshin kthimet mbrapsht, për palët kontraktuese të përfshira bëhet më e domosdoshme që në opracionet e dëbimeve të verifikohet situata reale në shtetet e vendmbërritjes së tyre, duke përfshirë këtu rrezikun për një dëbim të mëtejshëm.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Mbi pranueshmërinë
145. Gjykata mendon kjo çështje shtron probleme komplekse mbi referimin e faktit dhe të së drejtës që nuk mund të zgjidhen veçse pas një shqyrtimi të themelit. Prej këtej rrjedh se kjo pjesë e kërkesës duket qartazi se nuk është e pabazuar sipas nenit 5 § 3 të Konventës. Meqë nuk është zbuluar asnjë arsye tjetër për papranueshmë, ajo duhet deklaruar e pranueshme.
b) Mbi themelin
146. Gjykata kujton parimin sipas të cilit dëbimi i tërthortë i një të huaji e lë të paprekur përgjegjësinë e shtetit kontraktues i cili duhet, në pajtueshmëri më një jurisprudencë të ngulitur mirë, të kujdeset me qëllim që i interesuari të mos gjendet i rrezikuar realisht për t’iu nënshtruar trajtimeve në kundërshtim me nenin 3 të Konventës në rast riatdhesimi (shih, mutatis mutandis, T.I. kundër Mbretërisë së Bashkuar (vend.), no 43844/98, GJEDNJ 2000-III, et M.S.S., i larpërmendur, § 342).
147. I takon shtetit që kryen dëbimin të sigurojë që vendi ndërmjetës të ofrojë garancira të mjaftueshme që të shmanget dërgimi i personit të interesuar drejt vendit të tij të origjinës pa një vlerësim të rreziqeve që mund të kalojë aty. Gjykata vëren se ky detyrim bëhet edhe më i rëndësishëm kur, si në këtë rast, vendi ndërmjetës nuk është një shtet palë në Konventë.
148. Në këtë çështje, detyra e Gjykatës nuk është të shprehet mbi shkeljen e Konventës në rastin e riatdhesimit të kërkuesve, por të kërkojë nëse eksiztojnë garanci të mjaftueshme që lejojnë të shmaget dëbimi arbitrar i të interesuarve drejt vendit të origjinës, kur ata mund të vënë në dukje në mënyrë të justifikuar se riatdhesimi eventual do të cënonte nenin 3 të Konventës.
149. Gjykata ka një numër të caktuar informacionesh mbi situatën e përgjithshme në Eritrea dhe në Somali, vende origjine të kërkuesve, të ofruara nga të interesuarit dhe nga ndërhyrësit e tretë (paragraf 43 dhe 44 më lart).
150. Ajo vë në dukje se, sipas HCR-së dhe Human Rights Watch, personat e riatdhesuar me forcë në Eritrea rrezikojnë të përballen me torturën dhe të mbahen të burgosur në kushte çnjerezore për faktin e vetëm se kanë ikur nga vendi në mënyrë ilegale. Për sa i përket Somalisë, në çështjen e kohëve të fundit Sufi dhe Elmi (e lartpërmendur), Gjykata ka konstatuar nivelin kritik të dhunës në Mogadisho dhe rrezikun e madh për personat e dërguar në këtë vend të cilët mund të kalojnë në zona të prekura nga konflkti i armatosur ose të kërkojnë strehim në kampet për persona të shpërngulur ose për refugjatë, ku kushtet e jetesës janë katastrofike.
151. Gjykata vlerëson se tërësia e informacionit që ka në zotërim tregon se prima facie situata në Somali dhe në Eritrea ka shtruar dhe vazhdon të shtrojë probleme pasigurie të përgjithshme. Ky konstatim nga ana tjetër nuk është kontestuar përpara Gjykatës.
152. Për rrjedhojë, kërkuesit mundeshin, në mënyrë të justifikuar, të tregonin se riatdhesimi do të cënonte nenin 3 të Konventës. Tani bëhet fjalë për të parë nëse autoritetet italiane mundnin në mënyrë të arsyeshme të mendonin se Libia paraqiste garanci të mjafueshme kundër riatdhesimeve arbitrare.
153. Gjykata vëren së pari se Libia nuk e ka ratifikuar Konventën e Gjenevës që lidhet me statusin e refugjatëve. Përveç kësaj, vëzhguesit ndërkombëtarë bëjnë të ditur mungesën e çdo forme të procedurave të azilit dhe të mbrojtjes së refugjatëve në vend. Në këtë drejtim, Gjykata ka pasur tashmë rastin të konstatojë se prania e HCR-së në Tripoli nuk është aspak garanci mbrojtjeje për azilkërkuesit, për shkak të qëndrimi negativ të autoriteteve libiane, që nuk i njohin asnjë vlerë statusit të refugjatit (paragrafi 130 më lart).
154. Në këto kushte, Gjykata nuk do të mund të pranonte argumentin e Qeverisë sipas të cilës veprimi i HCR-së përfaqësonte një garanci kundër riatdhesimeve arbitrare. Për më tepër, Human Rights Watch dhe HCR-ja kanë denoncuar shumë precedentë të kthimeve të detyruara të emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve me rrezik, emigrantë ndër të cilët gjendeshin azilkërkues dhe refugjatë.
155. Pra, fakti që disa kërkues kanë marë statusin e refugjatit nuk do të mund ta siguronte Gjykatën për sa i përket rrezikut të dëbimit arbitrar. Përkundrazi, Gjykata ndan mendimin e kërkuesve sipas të cilit kjo përbën një provë shtesë për gjendjen e pambrojtur të të interesuarve.
156. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se në momentin e transferimit të kërkuesve drejt Libisë, autoritetet italiane e dinin ose duhej ta dinin se nuk ekzistonin garanci të mjaftueshme për të mbrojtur të ineresuarit nga rreziku për t’u dërguar arbitrarisht në vendet e tyre të origjinës, duke mbajtur parasysh veçanërisht mungesën e një procedure azili dhe pamundësinë për t’i detyruar autoritetet libiane të njihnin statusin e refugjatit të dhënë nga HCR-ja.
157. Nga ana tjetër, Gjykata riafirmon se Italia nuk mund të çlirohet nga respektimi i detyrimeve të saj sipas nenit 3 të Konventës për shkak se kërkuesit nuk kishin kërkuar azilin ose nuk kishin paraqitur rreziqet që do të kalonin për shkak të mungesës së një sistemi azili në Libi. Ajo kujton edhe një herë se u takonte autoriteteve italiane të hetonin në mënyrë që autoritet libiane të përmbushnin detyrimet e tyre ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së refugjatëve.
158. Për rrjedhojë, transferimi i kërkuesve drej Libisë ka sjellë gjithashtu shkeljen e nenit 3 të Konventës sepse ai i ka ekspozuar ata ndaj rrezikut të riatdhesimit arbitrar.
IV. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 4 TË PROTOKOLLIT No 4
159. Kërkuesit pohojnë se kanë qenë objekt i një dëbimi kolektiv pa asnjë bazë ligjore. Ata i referohen nenit 4 të Protokollit no 4, të formuluar kështu :
« dëbimet kolektive janë të ndaluar. »
1. Tezat e palëve
a) Qeveria
160. Qeveria mbështetet te moszbatueshmëria e nenit 4 të Protokollit no 4 në këtë rast. Ajo mendon se garancia që ofrohet nga kjo dispozitë hyn në veprim vetëm në rast dëbimi të personave që gjenden në territorin e një shteti ose që kanë kaluar ilegalisht kufirin kombëtar. Në këtë çështje, masa në fjalë lidhet më tepër me një refuzim për të lejuar hyrjen në territorin kombëtar sesa me një « dëbim »
b) Kërkuesit
161. Edhe pse pranojnë se përdorimi i termit « dëbim » në dukje mund të përbënte një pengesë për zbatueshmërinë e kësaj dispozite, kërkuesit pohojnë se një qasje evolutive duhet ta shtynte Gjykatën të njihte zbatueshmërinë e nenit 4 të Protokollit no 4 në këtë çështje.
162. Në veçanti, kërkuesit janë për një interpretim funksional dhe teleologjik të kësaj dispozite. Sipas tyre, qëllimi kryesor i ndalimit të dëbimeve kolektive është të pengojë shtetet të kryejnë transferimin e detyruar të grupi të huajsh drejt një shteti pa shqyrtuar, qoftë edhe në mënyrë të sipërfaqshme, situatën e tyre individuale. Në këtë optikë, një ndalim i tillë duhej të zbatohej gjithashtu për masat e largimit të emigrantëve në det të hapur të kryera pa asnjë akt formal paraprak, pasi këto masa të mund të përbënin « dëbime të maskuara ». Një interpretim teleologjik dhe « ekstraterritorial » i kësaj dispozite do ta bënte këtë fundit konkrete dhe efektive dhe jo teorike dhe iluzore.
163. Sipas kërkuesve, edhe sikur Gjykata të vendoste t’i jepte një rëndësi thjesht territoriale ndalimit të vendosur nga neni 4 të Protokollit no 4, dëbimi i tyre drejt Libisë do të hynte në fushën e zbatimit të këtij neni sepse është ndërhyrë në një anije që lundronte me flamurin italian, nen i cili është asmiluar nga neni 4 i kodit italian të lundrimit në « territorin italian ». Dëbimi i tyre drejt Libisë, i kryer pa një identifikim paraprak dhe në mungesë të çdo shqyrtimi të situatës personale të secilit prej tyre, do të kishte përbërë, në thelb, një masë të largimit kolektiv.
c) Ndërhyrësit e tretë
164. Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut (HCDH), me të cilin bashkohet Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët (HCR) (paragrafi 7 më lart), mbron zbatueshmërinë e nenit 4 të Protokollit në rastin e kësaj çështjeje. Ai mendon se çështja është shumë e rëndësishme, po të marrim parasysh pasojat e rëndësishme që një interpretm i zgjeruar i kësaj dispozite mund të kishte në fushën e imigracioneve ndërkombëtare.
Pasi ka kujtuar se dëbimet kolektive të të huajve, përfshirë këtu dhe situata të parregullta, ndalohen në mënyrë të përgjithshme nga e drejta ndërkombëtare dhe komunitare, HCDH pohon se personat e kapur në det duhet të kishin përfituar nga një mbrojtje kundër këtij tipi dëbimi, edhe kur ata nuk mund të arrijnë në kufirin e një shteti.
Dëbimet kolektive në det të hapur ndalohen për sa i përket parimit të drejtësisë, nën dritën e të cilit duhet të interpretohen dispozitat e Konventës. T’u lejosh shteteve të kthejnë emigrantët e kapur në det të hapur pa respektuar garancinë që sanksionon nenin 4 i Protokollit no 4 do të thotë të pranosh që shtetet të çlirohen nga detyrimet e tyre që burojnë nga konventat duke kryer operacione kontrolli në kufij.
Për më tepër, të pranosh ushtrimin ekstraterritorial të juridksionit të një shteti kontraktues për ngjarje që kanë ndodhur në det të hapur sipas HCDH-së do të supozonte zbatueshmërinë e të gjitha të drejtave të garantuara nga Konventa dhe Protokollet e saj.
165. Columbia Law School Human Rights Clinic kujton rëndësinë e garancive procedurale në fushën e mbrojtjes së të drejtave të refugjatëve. Shtetet do të kishin për detyrë të shqyrtonin situatën e çdo individi rast për rast, me qëllim që të garantohej një mbrojtje efikase e të drejtave themelore të personave në fjalë dhe të shmangej largimi i tyre kur ekziston një rrezik dëmtimi.
Ajo mendon se emigrimi klandestin nga deti nuk është një fenomen i ri dhe se bashkësia ndërkombëtare pranon gjithmonë e më shumë domosdoshmërinë për të caktuar kufij për praktikat e shteteve në fushën e kontrollove të emigracionit, përfshirë këtu kapjen në det. Parimi i mosdëbimit do të kërkonte nga shtetet të mos i largojnë personat pa vlerësuar situatën e tyre rast pas rasti.
Kështu, organe të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, si Komiteti kundër torturës, kanë deklaruar qartas se praktika të tilla rrezikonin të shkelnin normat ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut dhe kanë nënvizuar rëndësinë e identifikimit dhe të vlerësimit individual për të parandaluar kthimet e rrezikshme. Komisioni ndëramerikan i të drejtave të njeriut ka njohur rëndësinë e këtyre garancive procedurale në çështjen The Haitian Center for Human Rights dhe al. v. United States (çështja no 10 675, raport no 51/96, § 163), në të cilën ai do të shprehë mendimin se Shtetet e Bashkuara kishin kthyer në mënyrë të papranueshme emigrantë haitianë të kapur në det të hapur, pa bërë një përcaktim adekuat të statusit të tyre dhe pa i dëgjuar me qëllim që të verifikohej nëse ata mund të pretendonin statusin e refugjatit. Ky vendim bëhej edhe më i rëndësishëm pasi i kundërvihej qëndrimit të marë më parë nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara në çështjen Sale v. Haitian Centers Council (113 S.Ct, 2549, 1993).
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Mbi pranueshmërinë
166. Gjykata duhet së pari të shqyrtojë çështjen e zbatueshmërisë së nenit 4 të Protokollit no 4. Në çështjen Henning Becker kundër. Danemarkës (no 7011/75, vendimi i 3 tetorit 1975), që lidhet me riatdhesimin e një grupi afërsisht prej dyqind fëmijësh vietnamezë nga autoritetet daneze, Komisioni e ka përkufizuar, për herë të parë, « dëbimin kolektiv të të huajve » si « çdo masë e autoritetit kompetent që i detyron të huajt, në grup, të ikin nga një vend me përjashtim të rasteve kur një masë e tillë merret pas dhe në bazë të një shqyrtimi të arsyeshëm dhe objektiv të situatës së veçantë të secilit nga të huajt që formojnë grupin » .
167. Më pas, ky përkufizim është përdorur nga organet e Konventës në çështje të tjera që lidhen me nenin 4 të Protkollit 4. Gjykata vëren se shumica e tyre kanë të bëjnë me persona që gjendeshin në territorin e shtetit të interesuar K.G. kundër. R.F.Gj, no 7704/76, vendim i Komisionit i 1 marsit 1977 ; O. dhe të tjerë kundër Luksemburgut, no 7757/77, vendim i Komisionit i 3 marsit 1978 ; A. dhe të tjerë kundër Vendeve të Ulëta, no 14209/88, vendim i Komisionit i 16 dhjetorit 1988 ; Andric kundër Suedisë (vend.), no 45917/99, 23 shkurt 1999 ; Čonka kundër Belgjikës, no 51564/99, GJEDNJ 2002-I ; Davydov kundër Estonisë (vend.), no 16387/03, 31 maj 2005 ; Berisha dhe Haljiti kundër ish -Republikës jugosllave të Maqedonisë, no 18670/03, vendim i 16 qershorit 2005 ; Sultani kundër Francës, no 45223/05, GJEDH 2007‑X ; Ghulami kundër. Francës(vend.), no 45302/05, 7 prill 2009 ; dhe Dritsas kundër Italisë (vend.), no 2344/02, 1 shkurt 2011).
168. Përkundrazi, çështja Xhavara dhe të tjerë kundër Italisë dhe Shqipërisë (vend.), no 39473/98, 11 janar 2001), kishte të bënte me shtetas shqiptarë që kishin tentuar të hynin në mënyrë klandestine në Itali në bordin e një anije shqiptare që ishte kapur nga një anije luftarake italiane afërsisht 35 milje detare larg brigjeve italiane. Anija italiane ishte përpjekur t’i pengonte të interesuarit të zbarkonin në brigjet e tyre kombëtare, duke shkaktuar, pas një përplasjeje, vdekjen e pesëdhjetë e tetë personave ndërmjet të cilëve prindërit e kërkuesve. Në këtë çështje të fundit, ankoheshin pikërisht për dekret-ligjin no 60 të vitit 1997, që parashikonte dëbimin e menjëhershëm të të huajve të paligjshëm, masë kundër së cilës mund të bëhet vetëm një ankim pa efekt pezullues. Ata shihnin këtu një anashkalim të garancisë së dhënë nga neni 4 i Protokollit no 4. Gjykata e ka hedhur poshtë këtë ankesë për mospajtueshmëri ratione personae, meqë në rastin e tyre nuk është zbatuar dispozita e brendshme, dhe nuk është shprehur mbi zbatueshmërinë e nenit 4 të Protokollit no 4 në këtë rast.
169. Pra, në këtë çështje, Gjykatës i është kërkuar për herë të parë të shqyrtojë çështjen e zbatueshmërisë së nenit 4 të Protokollit no 4 për një rast të largimit të të huajve drejt një shteti të tretë jashtë territorit kombëtar. Bëhet fjalë për të parë nëse transferimi i kërkuesve drejt Libisë përbën një «dëbim kolektiv » në kuptimin e dispozitës së kontestuar.
170. Për të interpretuar dispozitat që burojnë nga Konventa, Gjykata frymëzohet nga nenet 31deri 33 të Konventës së Vjenës mbi të drejtën e traktateve (shih, për shembull, Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, 21 shkurt 1975, § 29, seria A no 18; Demir dhe Baykara kundër Turqisë [GC], no 34503/97, § 65, 12 nëntor 2008 ; dhe Saadi kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 13229/03, § 62, 29 janar 2008).
171. Në zbatim të Konventës së Vjenës mbi të drejtën e traktateve, Gjykata duhet të caktojë kuptimin e zakonshëm që u duhet dhënë termave në kontekstin e tyre dhe në dritën e objektit dhe qëllimit të dispozitës nga janë nxjerrë. Ajo duhet të mbajë parasysh faktin që dispozita në fjalë bën pjesë në një traktat për mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut dhe që Konventa duhet të lexohet si një e tërë dhe të interpretohet në mënyrë që të promovojë koherencën e saj të brendshme dhe harmoninë midis dispozitave të ndryshme (Stec dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (vend.) [GC], nos 65731/01dhe 65900/01, § 48, GJEDNJ 2005-X). Gjykata duhet gjithashtu të marrë parasysh çdo rregull dhe çdo parim të të drejtës ndërkombëtare të zbatueshëm në marrëdhëniet midis Palëve kontraktuese (Al-Adsani kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 35763/97, § 55, GJEDNJ 2001‑XI ; dhe Bosphorus Hava Yolları Turizm ve Ticaret Anonim Şirketi (Bosphorus Airways) kundër Irlandës [GC], no 45036/98, § 150, GJEDNJ 2005-VI ; shih gjithashtu nenin 31 § 3 c) të Konventës së Vjenës). Gjykata mund t’i referohet gjithashtu mjeteve plotësuese të interpretimit, veçanërisht punimeve përgatitore të Konventës, qoftë për të konfirmuar një kuptim të përcaktuar në përputhje me metodat e përmendura më lart, qoftë për të sqaruar kuptimin e tyre kur ai është i paqartë, i errët, ose dukshëm absurd dhe i paarsyeshëm (neni 32 i Konventës së Vjenës).
172. Qeveria mendon se një pengesë logjike i kundërvihet zbatueshmërisë së nenit 4 të Protokollit no 4 në këtë rast, d.m.th. fakti që kërkuesit nuk gjendeshin në territorin kombëtar gjatë transferimit të tyre drejt Libisë, masë që për rrjedhojë sipas saj, nuk mund të konsiderohej si
« një dëbim » në kuptimin e zakonshëm të termit.
173. Gjykata nuk ka të njëjtin mendim si Qeveria mbi këtë pikë. Ajo nënvizon së pari se megjithëse çështjet e shqyrtuara deri tani kanë të bëjnë me persona që gjendeshin tashmë, për arsye të ndryshme, në territorin e vendit në fjalë, formulimi i nenit 4 të Protokollit no 4 nuk përbën në vetvete, pengesë për një zbatim ekstraterritorial. Ka vend për të vërejtur në fakt se asnjë referencë për nocionin « territor » nuk figuron në nenin 4 të Protokollit no 4, ndërsa përkundrazi teksti i nenit 3 i të njëjtit Protokoll përmend shprehimisht shtrirjen territoriale të ndalimit të dëbimit të shtetasve. Po kështu, neni 1 i Protokollit no 7 i referohet në mënyrë të qartë nocionit të territorit në fushën e garancive procedurale në rastin e dëbimit të të huajve residentë të rregullt në territorin e shtetit. Në sytë e Gjykatës, ky element tekstual nuk mund të injorohet.
174. Punimet përgatitore, nga ana e tyre, nuk janë të qarta lidhur me fushën e zbatimit dhe të shtrirjes së nenit 4 të Protokollit no 4. Sidoqoftë, nga raporti shpjegues lidhur me Protokollin no 4, i hartuar në vitin 1963, del se për Komitetin e ekspertëve, neni 4 duhej formalisht të ndalonte « dëbimet kolektive të tilla si ato që kanë ndodhur në një të shkuar të jo të largët ». Pra, « kuptohet se miratimi i këtij neni [nenit 4] dhe nenit 3, paragrafi 1, nuk do të mundte në asnjë mënyrë të interpretohej si një miratim që ligjëronte masat e dëbimit kolektiv të mara në të shkuarën ». Në komentin e projektit, mund të lexohet se, sipas Komitetit të ekspertëve, të huajt të cilëve u referohet neni nuk janë vetëm residentët e rregullt në territor, por « edhe të gjithë ata që nuk kanë një të drejtë aktuale kombësie në këtë shtet pa dalluar nëse janë thjesht kalimthi apo janë residentë me banim, as nëse janë refugjatë apo kanë hyrë në vend me dëshirën e tyre, as nëse janë pa atdhe ose kanë një kombësi » (Neni 4 i projektit përfundimtar të Komitetit f. 505, § 34). Së fundi, për hartuesit e Protokollit no 4, fjala « dëbim » duhej të interpretohej « në kuptimin e përgjithshëm që i njeh edhe gjuha e përditshme (ta përzësh nga një vend)». Megjithëse ky përkufizim i fundit është në pjesën që lidhet me nenin 3 të Protokollit, Gjykata mendon se se ai mund të zbatohet gjithashtu për nenin 4 të po këtij Protokolli. Nga kjo rrjedh se edhe punimet paraprake, nuk e kundërshtojnë zbatimin ekstraterritorial të nenit 4 të Protokollit no 4.
175. Prandaj, mbetet për t’u sqaruar çështja nëse një zbatim i tillë justifikohet. Për t’iu përgjigjur kësaj, është mirë të mbahet parasysh qëllimi dhe kuptimi i dispozitës në fjalë, të cilët duhen nga ana e tyre të analiozohen në dritën e një parimi, të ngulitur fort në jurisprudencën e Gjykatës, sipas të cilit Konventa është një instrument i gjallë që duhet të interpretohet nën dritën e kushteve aktuale (shih, për shembull, Soering, i lartpërmendur, § 102 ; Dudgeon kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 tetor1981, seria A no 45 ; X, Y dhe Z kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 prill 1997, Përmbledhje 1997-II ; V. kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 24888/94, § 72, CEDH 1999-IX ; dhe Matthews kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], no 24833/94, § 39, GJEDNJ 1999-I). Përveç kësaj, është thelbësore që Konventa, të interpretohet dhe zbatohet në një mënyrë të tillë që garancitë të bëhen konkrete dhe efektive dhe jo teorike dhe iluzore. (Marckx kundër Belgjikës, 13 qershor 1979, § 41, seria A no 31 ; Airey kundër Irlandës, 9 tetor 1979, § 26, seria A no 32 ; Mamatkoulov dhe Askarov kundër Turqisë [GC], nos 46827/99 dhe46951/99, § 121, GJEDNJ 2005-I ; dhe Leyla Şahin kundër Turqisë [GC], no 44774/98, § 136, GJEDNJ 2005-XI).
176. Por, qysh nga hartimi i Protokollit no 4. ka kaluar një periudhë e gjatë. Që nga ajo kohë, flukset migratore në Evropë nuk kanë rreshtur së intensifikuari, duke marrë gjithnjë e më shumë rrugën e detit, aq sa kapjet e emigrantëve në det të hapur dhe kthimi i tyre drejt vendeve të tranzitit ose të origjinës tashmë bëjnë pjesë në fenomenin migrator, përderisa ato përbëjnë për shtetet mjete lufte kundër emigrimit të paligjshëm.
Konteksti i krizës ekonomike si dhe ndryshimet sociale dhe politike të kohëve të fundit që kanë prekur veçanërisht disa rajone të Afrikës dhe të Lindjes së Mesme i vënë shtetet evropiane përballë sfidave të reja në fushën e menaxhimit të imigrimit.
177. Gjykata ka treguar se sipas jurisprudencës së ngulitur mirë tashmë të Komisionit dhe të Gjykatës, qëllimi i nenit 4 të Protokollit no 4 është të mos lejojë që shtetet të mund të largojnë një numër të caktuar të huajsh pa shqyrtuar situatën e tyre personale dhe për pasojë pa i lënë të paraqesin argumentat e tyre që kundërshtojnë masën e marrë nga autoriteti kompetent. Pra, nëse neni 4 i Protokollit no 4 duhej të zbatohej vetëm në dëbimet kolektive të kryera që nga territori kombëtar i shteteve palë të Konventës, një pjesë e rëndësishme e fenomeneve migratore bashkëkohore i shpëton veprimit të kësaj dispozite, pavarësisht faktit se veprimet që ajo synon të ndalojë mund të ndodhin jashtë territorit kombëtar dhe veçanërisht, si në këtë rast, në det të hapur. Kështu neni 4 nuk do të kishte efekt të dobishëm në drejtim të këtyre fenomeneve të cilat kanë prirje të shumëfishohen. Kjo do të kishte për pasojë që emigrantët të cilët merrnin rrugën e detit, shpesh me rrezik për jetën, dhe që nuk mund të arrijnë deri në kufijtë e një shteti, nuk do të kishin të drejtën për shqyrtimin e situatës së tyre personale para se të dëboheshin, ndryshe nga ata që kishin marrë rrugën tokësore
178. Megjithatë, është e qartë se ashtu si nocioni i « juridiksionit » është kryesisht territorial dhe mendohet se ushtrohet mbi territorin kombëtar të shteteve (paragraf 71 më lart), edhe nocioni i dëbimit është, nga ana e tij, kryesisht territorial, në kuptimin që dëbimet bëhen më shpesh nga territori kombëtar. Aty ku gjithsesi, si në këtë rast, ajo ka pranuar se një shtet kontraktues kishte ushtruar, në kushte të jashtëzakonshme, juridiksionin e tij jashtë territorit kombëtar, Gjykata nuk sheh pengesë për të pranuar se ushtrimi i juridiksionit ekstraterritorial të këtij shteti ka marrë formën e një dëbimi kolektiv. Të arrish në një tjetër përfundim, dhe t’i japësh këtij nocioni të fundit një impakt thjesht territorial, do të sillte një mospajtm midis fushës së zbatimit të Konventës si të tillë dhe asaj të nenit 4 të Protokollit no 4, çka do të kundërshtonte parimin sipas të cilit Konventa duhet të interepretohet si një e tërë. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për ushtrimin e juridiksionit nga një shtet në det të hapur, Gjykata ka afirmuar tashmë se specifika e kontekstit detar nuk do të mund të çonte në sanksionimin e një hapësire ku mungon ligji në gjirin e së cilës individët nuk do të vareshin nga asnjë regjim juridik i cili mund t’u japë të drejta dhe garanci të parashikuara nga Konventa, të drejta që shtetet janë angazhuar t’ua njohin personave të vendosur nën juridiksionin e tyre (Medvedyev dhe të tjerë, i lartpërmendur, § 81).
179. Konsideratat e mësipërme nuk e vënë në dyshim të drejtën që kanë shtetet për të vendosur në mënyrë sovrane politikat e tyre të imigrimit. Megjithatë duhet nënvizuar se vështirësitë në menaxhimin e flukseve të emigrantëve nuk mund ta justifikojnë përdorimin, nga ana e shteteve, të praktikave që nuk do të ishin në përputhje me detyrimet e tyre sipas Konventës. Gjykata riafirmon në këtë drejtim se interpretimi i normave të Konventës duhet të bëhet sipas parimit të drejtësisë dhe objektit e qëllimit të traktatit si dhe në bazë të rregullës së efektit të dobishëm të tij (Mamatkulov dhe Askarov, i lartpërmendur, § 123).
180. Duke mbajtur parasysh sa më lart, Gjykata mendon se largimet e të huajve të kryera në kuadrin e kapjeve në det të hapur nga autoritetet e një shteti në ushtrimin e prerogativave të veta të autoritetit publik dhe që kanë për pasojë të ndalojnë emigrantët të arrijnë në kufijtë e një shteti tjetër, d.m.th. t’i dëbojnë drejt një shteti tjetër, përbëjnë një ushtrim të juridiksionit të tyre sipas nenit 1 të Konventës, që angazhon përgjegjësinë e shtetit në fjalë në fushën e nenit 4 të Prokollit no 4.
181. Në këtë rast, Gjykata vlerëson se operacioni që ka çuar në transferimin e kërkuesve drejt Libisë është kryer nga autoritetet italiane me qëllim që të pengojë zbarkimet e emigrantëve të paligjshëm në brigjet kombëtare. Nga kjo pikëpamje, ajo i jep një rëndësi të veçantë, deklaratave të dhëna pas këtyre ngjarjeve, nga ministri i Brendshëm në shtypin kombëtar dhe në Senat të Republikës, në të cilat ai ka shpjeguar rëndësinë që kanë kthimet mbrapsht në det të hapur për luftën kundër emigrimit klandestin dhe ka nënvizuar uljen e madhe të zbarkimeve si pasojë e operacioneve të kryera gjatë muajit maj 2009 (paragrafi 13 më lart).
182. Pra, Gjykata hedh poshtë kundërshtimin e Qeverisë dhe mendon se neni 4 i Protolkollit no 4 zbatohet në këtë rast.
b) Mbi themelin
183. Gjykata vëren se deri tani tani, çështja Čonka (vendimi i lartpërmendur) është e vetmja çështje ku ajo ka konstatuar një shkelje e nenit 4 të Protokollit no 4. Në shqyrtimin e kësaj çështja, me qëllim që të vlerësohet ekzistenca e një dëbimmi kolektiv, ajo ka shqyrtuar rrethanat e këtij rasti dhe ka verifikuar nëse vendimet e largimit kishin marrë parasysh situatën e veçantë të individëve të interesuar. Gjykata atëherë ka deklaruar (§§ 61-63) :
« Gjykata nënvizon gjithashtu se masat e kontestuara të burgimit dhe të largimit janë marrë për të ekzekutuar urdhrin për të lënë territorin që mban datën e 29 shtatorit 1999, i cili bazohej vetëm në nenin 7, paragrafi 1, 2o, të ligjit mbi të huajt, pa referencë tjetër për gjendjen personale të të interesuar përveç faktit se qëndrimi i tyre në Belgjikë i tejkalonte tri muaj. Në veçanti, dokumenti nuk i referohej asnjë kërkese për azil të kërkuesve as vendimeve të 3 marsit dhe të 18 qershorit 1999 të mara në këtë fushë. Sigurisht, këto vendime shoqëroheshin gjithashtu me një urdhër për të lënë territorin, por vetëm ky urdhër nuk mund të autorizonte arrestimin e kërkuesve. Pra ky i fundit është urdhëruar për herë të parë nga një vendim i 29 shtatorit 1999, mbi një bazë legale që s’kishte të bënte me kërkesën e tyre të azilit, por i mjaftueshëm gjithsesi për të nxitur zbatimin e masave të kritikuara. Në këto kushte, dhe duke parë numrin e madh të personave me të njëjtën origjinë që kanë pasur të njëjtin fat si kërkuesit, Gjykata vlerëson se sistemi i ndjekur nuk është i tillë që të përjashtojë çdo dyshim mbi karakterin kolektiv të dëbimit të kritikuar.
Këto dyshime përforcohen nga një tërësi rrethanash të tilla si fakti që para operacionit të çështjes instancat politike përgjegjëse kishin shpallur operacione të këtij lloji dhe kishin dhënë udhëzime për administrimin kompetent me qëllim realizimin e tyre (...) ; që të gjithë të interesuarit kanë qenë thirrur njëkohëssiht në komisariat ; që urdhërat për t’u larguar nga territori dhe për arrestim të cilat u janë dorëzuar kishin një formulim identik ; që ishte shumë e vështirë për të interesuarit të merrnin kontakt me një avokat; së fundi që procedura e azilit nuk ishte mbaruar ende.
Shkurt, në asnjë stad të periudhës që shkon që nga thirrja e të interesuarve në komisariat deri te dëbimi, procedura e ndjekur nuk ofronte garanci të mjaftueshme që të vërtetonte marrjen parasysh realisht si dhe të diferencuar të situatës individuale të secilit nga personat e interesuar.»
184. Në jurisprudencën e tyre, organet e Konventës, nga ana tjetër, kanë saktësuar se fakti që shumë të huaj përbëjnë objektin e vendimeve të ngjashme nuk lejon në vetvete të dalësh në përfundimin se ekziston një dëbimi kolektiv përderisa çdo i interesuar ka mundur individualisht të paraqesë para autoriteteve kompetente argumente që i kundërviheshin dëbimit të tij. (K.G. kundër. R.F.Gj, vendim i lartpërmendur; Andric, vendim i lartpërmendur ; Sultani, i lartpërmendur, § 81). Së fundi, Gjykata ka gjykuar se nuk ka pasur shkelje të nenit 4 të Protokollit no 4 nëse mungesa e vendimit individual të largimit është pasojë e sjelljes së gabuar të personave të interesuar. (Berisha dhe Haljiti, vendim i lartpërmendur, dhe Dritsas, vendim i lartpërmendur).
185. Në këtë rast, Gjykata nuk mund të konstatojë se transferimi i kërkuesve drejt Libisë është kryer në mungesë të çdo forme shqyrtimi të situatës individuale të çdo kërkuesi. Është e pakundërshtueshme se kërkuesit nuk kanë qenë objekt i asnjë procedure identifikimi nga ana e autoriteteve italiane, të cilat u mjaftuan duke i hipur të gjithë emigrantët e kapur në një anije ushtarake dhe duke i zbarkuar ata në brigjet libiane. Për më tepër, Gjykata vë në dukje se personeli në bordin e anijeve ushtarake nuk ishte i trajnuar për të bërë intervista individuale dhe nuk kishte ndihmën e përkthyesve dhe të këshilltarëve juridikë.
Kjo i mjafton Gjykatës për të kundërshtuar ekzistencën e garancive të mjaftueshme që provojnë se është marrë parasysh me të vërtetë dhe në mënyrë të diferencuar situata individuale e secilit nga personat e interesuar.
186. Duke parë sa më lart, Gjykata doli në përfundimin se largimi i kërkuesve ka pasur një karakter kolektiv në kundërshtim me nenin 4 të Protokollit no 4. Pra, ka pasur një shkelje të kësaj dispozite.
VI. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 13 TË KOMBINUAR ME NENIN 3 TË KONVENTËS DHE NENIN 4 TË PROTOKOLLIT No 4
187. Kërkuesit ankohen se nuk kanë përfituar në të drejtën italiane një procedurë ankimi efektiv që të mund të formulonin ankesat e tyre të nxjera nga nenet 3 të Konventës dhe 4 të Protokollit no 4. Ata i referohen nenit 13 të Konventës që është formuluar kështu:
« Çdo person të cilit, i janë shkelur të drejtat dhe liritë të njohura në (...) Konventë, ka të drejtën për të pasur një ankim efektiv para një gjykate kombëtare, edhe kur shkleja është kryer nga pesona gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare.”
1. Tezat e palëve
a) Kërkuesit
188. Kërkuesit afirmojnë se kapjet e personave në det të hapur të kryera nga Italia nuk janë parashikuar nga ligji dhe i shmangen çdo kontrolli mbi ligjshmërinë nga ana e një autoriteti kombëtar. Për këtë arsye, ata privohen nga çdo mundësi për të paraqitur një ankesë kundër dëbimit të tyre në Libi dhe për të pretenduar një shkelje të neneve 3 të Konventës dhe 4 të Protokollit no 4.
189. Të interesuarit pohojnë se asnjë nga kërkesat për efektivitetin e ankimit të parashikuara nga jurisprudenca e Gjykatës nuk është respektuar nga autoritetet italiane, të cilat nuk kanë bërë as identifikimin e emigrantëve të kapur dhe nuk i kanë kushtuar asnjë vëmendje kërkesave të tyre për mbrojtje. Nga ana tjetër, edhe sikur të supozohet se ata nuk kanë pasur mundësi t’u drejtohen ushtarakëve për të kërkuar azil, ata nuk kanë përfituar nga garancitë procedurale të parashikuara nga ligji italian si aksesi në një instancë gjyqësore, për arsyen e thjeshtë se gjendeshin në bordin e anijeve.
190. Kërkuesit çmojnë se ushtrimi i sovranitetit territorial në fushën e politikës së emigracionit nuk duhet në asnjë rast të çojë në mosrespektimin e detyrimeve që Konventa u imponon shteteve, ndër të cilat figuron detyrimi që garanton të drejtën për një procedurë ankimi efektive para një gjykate kombëtare për çdo person që varet nga juridiksioni i tyre.
b) Qeveria
191. Qeveria mbron tezën se rrethanat e këtij rasti, nga momenti që kanë ndodhur në bordin e anijeve, nuk u mundësonin kërkuesve garantimin e të drejtës së aksesit në një gjykatë kombëtare.
192. Në seancën para Dhomës së Madhe, ajo ka pohuar se kërkuesit duhej t’i drejtoheshin gjykatave kombëtare me qëllim që të fitonin njohjen, sipas rastit, dëmshpërmblimin e shkeljeve të pretenduara nga Konventa. Sipas Qeverisë, sistemi gjyqësor kombëtar lejonte të konstatohej përgjegjësia eventuale e ushtarakëve që u kanë ardhur në ndihmë kërkuesve, si për të drejtën kombëtare ashtu edhe për të drejtën ndërkombëtare.
Qeveria pohon se kërkuesit të cilëve HCR-ja u ka njohur statusin e refugjatëve mund të hyjnë në çdo moment në territorin italian dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre që burojnë nga Konventa, dukë përfshirë aty edhe të drejtën për t’iu drejtuar autoriteteve gjyqësore.
c) Ndërhyrësit e tretë
193. HCR-ja pohon se parimi i mosdëbimit nënkupton për shtetet detyrime procedurale. Nga ana tjetër, e drejta për akses në një procedurë azili efektive dhe të përshpejtuar nga një autoritet kompetent do të bëhej edhe më e rëndësishme nëse bëhet fjalë për një fluks « mikst » emigrantësh, në kaudrin e të cilëve azilkërkuesit e mundshëm duhet të individualizohen dhe dallohen nga emigrantët e tjerë
194. Qendra e këshillimit mbi të drejtat e individit në Evropë (Qendra AIRE), Amnesty International dhe Federata ndërkombëtare e ligave të të drejtave të njeriut (FIDH) mendojnë se individët e dëbuar pas një kapjeje në det të hapur nuk kanë asnjë akses në shtetin kontraktues përgjegjës për operacionin, dhe ende më pak për një procedurë ankimi që mund të plotësojë kërkesat e nenit 13. Të interesuarit nuk kanë asnjë mundësi adekuate as ndihma të nevojshme veçanërisht asistencën e një përkthyesi që do t’u mundësonte të paraqisnin arsyet që kundërshtojnë dëbimin, pa folur për një shqyrtim rigoroz që do të plotësonte kërkesat e Konventës. Palët ndërhyrëse mendojnë se, kur Palët kontraktuese në Konventë përfshihen në kapjet në det të hapur që çojnë në një dëbim, ato kanë për detyrë të sigurohen që secili nga personat e interesuar të ketë mundësinë efektive për të kontestuar kthimin e tij nën dritën e të drejtave të garantuara nga Konventa dhe për të siguruar një shqyrtim të kërkesës së tij para se të ekzekutohet dëbimi. Palët ndërhyrëse mendojnë se mungesa e ankimit që do të lejonte të identifikoheshin kërkuesit dhe të vlerësoheshin individualisht kërkesat e tyre për mbrojtje si dhe nevojat e tyre, përbën një mungesë të rëndësishme, ashtu si mungesa e çdo investigimi monitories për t’u siguruar për fatin e personave të dëbuar.
195. Columbia Law School Human Rights Clinic nxjerr në pah se e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe të refugjatëve kërkon së pari që shteti të informojë emigrantët për të drejtën e tyre për mbrojtje. Detyra për të informuar do të ishte e domosdoshme për ta bërë efektiv detyrimin e shtetit për të identifikuar personat ndërmjet individëve të kapur, që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Kjo detyrë do të ishte veçanërisht e rëndësishëm në rastet e kapjes në det, për faktin se personat e interesuar rallë e njohin të drejtën kombëtare dhe nuk kanë mundësi të kenë një përkthyes ose një këshilltar juridik. Më pas, çdo person duhet të dëgjohet nga autoritetet kombëtare dhe të marrë një vendim individual që lidhet me kërkesën e tij.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Mbi pranueshmërinë
196. Gjykata kujton se i ka shtuar shqyrtimit të ligjshmërisë së ankesave të nxjerra nga neni 13 kundërshtimin e mosshterrimit të rrugëve të ankimit të brendshëm të ngritur nga qeveria në seancën para Dhomës së Madhe (paragrafi 62 më lart). Nga ana tjetër, Gjykata mendon se kjo pjesë e kërkesës shtron çështje komplekse të të drejtës dhe të faktit të cilat nuk mund të zgjidhen veçse pas një shqyrtimi në themel; nga kjo rrjedh që kjo kërkesë duket qartë se nuk është e pabazuar sipas nenit 35 § 3 a) të Konventës. Meqë nuk vihet re asnjë arsye tjetër për mospranueshmëri, ka vend për ta deklaruar të pranueshme.
b) Mbi themelin
i. Parimet e përgjithshme
197. Neni 13 i Konventës garanton ekzistencën në të drejtën e brendshme të një ankimi që lejon të mbizotërojnë të drejtat dhe liritë e Konventës ashtu siç janë sanksionuar. Kjo dispozitë sjell si pasojë të kërkohet një ankim i brendshëm që lejon shqyrtimin e përmbajtjes së një « ankese të mbrojtshme » të bazuar në Konventë dhe të ofrohet dëmshpërblimi i përshtatshëm. Pesha e detyrimit të nenit 13 që rëndon mbi shtetet kontraktuese ndryshon në funksion të natyrës së ankesës së kërkuesit. Gjithsesi, ankimi i kërkuar nga neni 13 duhet të jetë « efektiv » në praktikë si dhe në të drejtë. « Efektiviteti » i një « ankimi » sipas nenit 13 nuk varet nga sigurimi i një zgjidhjeje të favorshme për kërkuesin. Po kështu, « instanca » për të cilën flet kjo dispozitë nuk ka nevojë të jetë një institucion gjyqësor, por kompetencat dhe garancitë që ajo paraqet merren parasysh për të vlerësuar efektivitetin e ankimit që ushtrohet para saj. Përveç kësaj, tërësia e ankimeve të ofruara nga e drejta e brendshme mund të përmbushë kërkesat e nenit 13, edhe pse asnjë prej tyre veçmas nuk i përgjigjet plotësisht (shih, ndër shumë të tjera, Kudła kundër Polonisë [GC], no 30210/96, § 157, GJEDNJ 2000-XI).
198. Nga jurisprudenca del se ankesa e një personi sipa të cilit dërgimi drejt një shteti tjetër të tretë do ta rrezikonte ndaj trajtimeve që ndalohen nga neni 3 i Konventës , « duhet detyrimisht të përbëjë objektin e një kontrolli të kujdesshëm nga një « istancë kombëtare » (Chamaïev dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë dhe Rusisë, no 36378/02, § 448, GJEDNJ 2005‑III ; shh gjithashtu Jabari, i lartpërmendur, § 39). Ky parim e shtyn Gjykatën të gjykojë se nocioni i « ankimit efektiv » sipas nenit 13 i kombinuar me nenin 3 kërkon, nga njëra anë « një shqyrtim të pavarur dhe rigoroz » të çdo ankese të ngritur nga një person që gjendet në një situatë të tillë, sipas të cilit « ekzistojnë arsye serioze për të besuar në ekzistencën e një rreziku real « për trajtime që shkojnë kundër nenit 3 » dhe nga ana tjetër, « mundësia për të shtyrë ekzekutimin e masës së kontestuar » (vendimet e lartcituara § 460 et § 50 respektivisht).
199. Përveç kësaj, në vendimin Čonka (i lartpërmendur, §§ 79 dhe vijueset) Gjykata ka saktësuar, në fushën e nenit 13 të kombinuar me nenin 4 të Protokollit no 4, se një ankim nuk u përgjigjet kërkesave të nenit 13 nëse ai nuk ka efekt pezullues. Ajo ka nënvizuar gjithashtu si më poshtë (§ 79) :
« Gjykata mendon se efektiviteti i ankimeve të kërkuara nga neni 13 nënkupton se ato mund të pengojnë ekzekutimin e masave në kundërshtim me Konventën pasojat e të cilave janë potencialisht të pakthyeshme (...). Për pasojë, neni 13 i kundërvihet zbatimit të masave të tilla para se të përfundojë shqyrtimi i pajtueshmërisë së tyre me Konventën, nga ana e autoriteteve kombëtare. Gjithsesi, shtetet kontraktuese gëzojnë një farë hapësire vlerësimi për sa i përket mënyrës për t’u përshtatur me detyrimet që u vendos neni 13 (...). »
200. Duke mbajtur parsysh rëndësinë e nenit 13 të Konventës dhe natyrën e pakthyeshme të dëmit i cili mund të shkaktohet në rast se realizohet rreziku i torturës ose i keqtrajtimeve, Gjykata ka gjykuar se kriteri i efektit pezullues duhej të zbatohej gjithashtu në rastin kur një shtet palë do të vendoste të dëbonte një të huaj drejt një shteti ku ka arsye serioze të besohet se ka rreziqe të kësaj natyre. (Gebremedhin [Gaberamadhien] kundër Francës, no 25389/05, § 66, GJEDNJ 2007-II ; M.S.S., i lartpërmendur, § 293).
ii. Zbatimi në këtë rast
201. Gjykata arrin në përfundimin se dërgimi i kërkuesve drejt Libisë analizohet si një shkelje e nenit 3 të Konventës dhe nenit 4 të Protokollit no 4. Ankesat e ngritura mbi këto pika janë pra « të mbrojtshme » sipas nenit 13.
202. Gjykata ka konstatuar se kërkuesit nuk kanë pasur asnjë akses në asnjë procedurë që synonte identifikimine tyre dhe verifikimin e situatës së tyre personale para ekzekutimit të largimit drejt Libisë (paragrafi 185 më sipër). Qeveria pranon se se procedura të tilla nuk mund të mendoheshin në bordin e anijeve ushtarake në të cilat kishin hipur kërkuesit. Personeli në bord në fakt nuk kishte as përkthyes as këshilltar juridik.
203. Gjykata vëren se kërkuesit pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë informacion nga ana e ushtarakëve italianë, të cilët i kishin bërë të besonin se po i çonin drejt Italisë dhe nuk i kishin informuar lidhur me procedurën që duhej ndjekur për të penguar kthimin e tyre në Libi.
Meqë kjo rrethanë është kontestuar nga Qeveria, Gjykata i jep një rëndësi të veçantë versionit të kërkuesve, sepse ai është konfirmuar nga dëshmi të shumtë të mbledhura nga HCR-ja, CPT-ja dhe Human Rights Watch.
204. Nga ana tjetër, Gjykata ka afirmuar tashmë se mungesa e informacionit përbën një pengesë madhore për aksesin në procedurat e azilit (M.S.S., i paracituar, § 304). Ajo përsërit këtu rëndësinë për t’u garantuar personave të prekur nga një masë largimi, masë me pasoja potencialisht të pakthyeshme, të drejtën për të marrë informacione të mjaftueshme duke u lejuar atyre të kenë akses efektiv në procedura për të mbështetur ankesat e tyre.
205. Duke mbajtur parasysh rrethanat e këtij rasti, Gjykata vlerëson se kërkuesit janë privuar nga çdo mënyrë ankimi që do t’u kishte lejuar t’i paraqesnin para një autoriteti kompetent ankesat e tyre të nxjerra nga neni 3 i Konventës dhe neni 4 i Protokollit no 4 dhe të kishin kontrollin e vëmendshëm dhe rigoroz për kërkesat e tyre para se të zbatohej masa e largimit.
206. Sa për argumentin e Qeverisë sipas të cilit kërkuesit duhet të kishin përfituar nga mundësia për t’iu drejtuar gjykatësit penalist italian sapo të mbërrinin në Libi, Gjykata konstaton se, edhe nëse një mënyrë e tillë ankimi është e mundshme në praktikë, një ankim penal i ndërmarrë kundrejt ushtarakëve që gjendeshin në bordin e anijeve të ushtrisë sigurisht nuk i përmbush kërkesat e nenit 13 të Konventës, përderisa nuk e plotësonte kriterin e efektit pezullues të konfirmuar nga vendimi Čonka, i lartpërmendur. Gjykata rithekson se kërkesa sipas nenit 13 për të pezulluar ekzekutimin e masës së kontestuar nuk mund të konsiderohet si diçka dytësore (M.S.S., i paracituar, § 388).
207. Gjykata përfundon se ka pasur shkelje të nenit 13 të kombinuar me nenin 3 të Konventës dhe nenin 4 të Protokollit no 4. Për rrjedhojë nuk mund t’i fajësosh kërkuesit se nuk i kanë shterruar në mënyrë korrekte rrugët e brendshme të ankimit dhe se kundërshtimi paraprak i Qeverisë (shih paragrafin 62 më lart) është hedhur poshtë.
VII. MBI NENT 46 DHE 41 TË KONVENTËS
A. Mbi nenin 46 të Konventës
208. Sipas kësaj dispozite:
« 1. Palët e Larta kontraktuese angazhohen t’u binden vendimeve përfundimtare të Gjykatës në çështjet në të cilat ato janë palë.
2. Vendimi pëfundimtar i Gjykatës i transmetohet Komitetit të Ministrave i cili mbikqyr ekzekutimin.»
209. Sipas nenit 46 të Konventës, Palët e Larta kontraktuese angazhohen t’u binden vendimeve përfundimtare të dhëna nga Gjykata për çështjet në cilat ato janë palë, meqë Komiteti i Ministrave ngarkohet të mbikqyrë ekzekutimin e këtyre vendimeve. Prej këtej rrjedh veçanërisht që, kur Gjykata konstaton një shkelje, shteti i paditur ka detyrimin juridik jo vetëm t’u derdhë të interesuarve shumat e akorduara si dëmshpërblim i drejtë i parashikuar nga neni 41, por edhe të marrë masa të përgjithshme dhe /ose sipas rastit, individuale të domosdoshme. Kur vendimet e Gjykatës kanë një natyrë kryesisht deklarative, shteti i paditur mbetet i lirë, nën kontrollin e Komitetit të Ministrave, të zgjedhë mjetet për të plotësuar detyrimin e tij juridik sipas nenit 46 të Konventës, për sa kohë këto mjete janë në përputhje me përfundimet që përmban vendimi i Gjykatës. Megjithatë, në disa situata të veçanta, ndodh që Gjykata të çmojë të nevojshme që t’i tregohet një shteti të paditur tipi i masave që duhen marrë për t’i dhënë fund situatës – shpesh strukturore- që kishte dhënë shkas për konstatim shkeljeje (shih, për shembull, Öcalan kundër Turqisë [GC], no 46221/99, § 210, GJEDNJ 2005-IV ; dhe Popov kundër Rusisë, no 26853/04, § 263, 13 korrik 2006). Ndonjëherë, madje natyra e shkeljes së konstatuar nuk të lë zgjidhje për sa i përket masave që duhen marrë (Assanidzé, i lartpërmendur, § 198 ; Alexanian kundër Rusisë, no 46468/06, § 239, 22 dhjetor 2008 ; dhe Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) Zvicrës (no 2) [GC], no 32772/02, §§ 85 et 88, 30 qershor 2009).
210. Në këtë rast, Gjykata gjykon si të domosdoshme të tregohen masat individuale që vendosen në kuadrin e ekzekutimit të këtij vendimi, pa përmendur masat e duhura të përgjithshme për të parandaluar shkelje të tjera të ngjashme në të ardhmen (M.S.S., i lartpërmendur, § 400).
211. Gjykata ka konstatuar, ndër të tjera, se transferimi i kërkuesve i ka rrezikuar ata të pësonin keqtrajtime në Libi dhe të riatdhesoheshin drejt Somalisë dhe Eritreas në mënyrë arbitrare. Duke marrë parasysh rrethanat e çështjes, Gjykata vendosi se i takon qeverisë italiane të ndërmarrë të gjitha hapat e mundshme për të marrë nga autoritetet libiane sigurinë se kërkuesit nuk do t’u nënshtrohen trajtimeve që bien ndesh me nenin 3 të Konventës as nuk do të riatdhesohen arbitrarisht.
B. Mbi nenin 41 të Konventës
212. Sipas nenit 41 të Konvents,
« Nëse Gjykata deklaron se ka pasur shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë kontraktuese nuk lejon të fshihen plotësisht pasojat e kësaj shkeljeje, Gjykata i jep palës së dëmtuar, nëse është rasti, një dëmshpërblim të drejtë. »
213. Kërkuesit kërkojnë 15 000 euro (EUR) secili për dëmin moral që kanë pësuar.
214. Qeveria i kundërvihet kësaj kërkese duke nënvizuar se jeta e kërkuesve ka shpëtuar në sajë të ndërhyrjes së autoriteteve italiane.
215. Gjykata vlerëson se kërkuesve u është dashur të kalojnë një rrezik të sigurt që nuk do të mund të ishte riparuar vetëm me konstatimet e shkeljeve. Duke pasur parasysh natyrën e shkeljeve të konstatuara në këtë rast, ajo gjykon të drejtë ta pranojë kërkesën e kërkuesve dhe t’u japë secilit prej tyre nga 15 000 EUR si dëmpshpërblim për dëmin moral. Përfaqësuesit e kërkuesve do të mbajnë në mirëbesim shumat e dhëna për të interesuarit.
C. Kostot dhe shpenzimet
216. Kërkuesit kërkojnë gjithashtu 1 575,74 EUR për koston dhe shpenzimet e bëra në Gjykata.
217. Qeveria e kundërshton këtë kërkesë.
218. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një kërkues nuk mund të marrë rimbursimin shpenzimeve dhe përqindjen e arsyeshme të tyre. Në këtë rast, duke mbajtur parasysh kostot dhe shpenzimet për aq sa provohet realiteti dhe domosdoshmëria e tyre për të pasur dokumente dhe jurisprudencën e saj, Gjykata vlerëson të arsyeshme shumën e kërkuar për procedurën në Gjykatë dhe ua akordon atë kërkuesve.
D. Interesat moratore
219. Gjykata gjykon të përshtatshme të llogarisë ekzaktësisht përqindjen e interesave moratore sipas përqindjes së interesit të normës margjinale të huadhënies së Bankës qendrore evropiane të shtuar me tri pikë
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, me trembëdhjetë vota pro dhe katër kundër, të fshijë nga regjistri kërkesën kur ajo ka të bëjë me Z. Mohamed Abukar Mohamed dhe Z. Hasan Shariff Abbirahman ;
2. Vendos, me unanimitet, të mos e fshijë nga regjistri kërkesën kur ajo ka të bëjë me kërkuesit e tjerë ;
3. Thotë, në unanimitet, se kërkuesit vareshin nga juridiksioni i Italisë sipas nenit 1 të Konventës ;
4. Lidh me themelin, në unanimitet, kundërshtimet e Qeverisë bazuar në mosshterrimin e rrugëve të brendshme të ankimit dhe në mungesën e cilësimit të kërkuesve si viktima ;
5. Deklaron, në unanimitet, të pranueshme ankesat e nxjerra nga neni 3 i Konventës ;
6. Thotë, në unanimitet, se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës pasi kërkuesit kanë rrezikuar të pësojnë keqtrajtime në Libi dhe hedh poshtë kundërshtimin e Qeverisë të nxjerrë nga mungesa e cilësimit të kërkuesve si viktima ;
7. Thotë, në unanimitet, se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës sepse kërkuesit janë përballur me rrezikun e riatdhesimit në Somali dhe në Eritrea ;
8. Deklaron, në unanimitet, të pranueshme ankesën e nxjerrë nga neni 4 i Protolollit no 4 ;
9. Thotë, në unanimitet se ka pasur shkelje të nënit 4 të Protokollit no 4 ;
10. Deklaron, në unanimitet, të pranueshme ankesën e bazuar në nenin 3 të Konventës dhe nenin 4 të Protolollit no 4 ;
11. Thotë, në unanimitet, se ka pasur shkelje të nenit 13 të marrë bashkë me nenin 3 të Konventës dhe nenin 4 të Protokollit no 4 dhe hedh poshtë kundërshtimin e Qeverisë të bazuar në mosshterrimin e rrugëve të brendshme të ankimit ;
12. Thotë, në unanimitet,
a) se Shteti i paditur duhet t’u paguajë kërkuesve, brenda tre muajve, shumat e mëposhtme :
i. 15 000 EUR (pesëmbëdhjetë mijë euro) secilit, plus çdo shumë që mund të jetë përdorur si taksë, për dëm moral, shuma të cilat duhet të mbahen në mirëbesim nga përfaqësuesit e kërkuesve ;
ii. shuma globale prej 1 575,74 EUR (një mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e katër), plus çdo shumë që mund t’u jetë paguar si taksë nga kërkuesit, për shpenzime dhe kosto gjyqësore ;
b) se duke filluar nga skadimi i këtij afati dhe deri në derdhjen e këtyre shumave të kërkuesve do t’u shtohen me një interes të thjeshtë me një përqindje të barabartë me atë të normës margjinale të huadhënies së Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, plus tri pikë pëqindjeje.
Bërë në frëngjisht dhe në anglisht dhe më pas e shpallur në seancë publike, në Pallatin e të drejtave të njeriut, në Strasburg, më 23 shkurt 2012, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Michael O’BoyleNicolas Bratza
SekretarKryetar
Këtij vendimi i shtohet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores, parashtrimi i opinionit të veçantë të gjykatësit Pinto de Albuquerque.
N.B.
M.O.B.
LISTA E KËRKUESVE
Emër
Vendi dhe data e lindjes
Situata aktuale
e kërkuesve
1.
JAMAA Hirsi Sadik
Somalia,
30 maj 1984
Statusi i refugjatit dhënë në 25 qershor 2009 (N. 507-09C00279)
2.
SHEIKH ALI Mohamed
Somalia,
22 janar 1979
Statusi i refugjatit dhënë në 13 gusht 2009 (N. 229-09C0002)
3.
HASSAN Moh’b Ali
Somalia,
10 shtator 1982
Statusi i refugjatit dhënë në 25 qershor 2009 (N. 229-09C00008)
4.
SHEIKH Omar Ahmed
Somalia,
1 janar 1993
Statusi i refugjatit dhënë në 13 gusht 2009 (N. 229-09C00010)
5.
ALI Elyas Awes
Somalia,
6 qershor 1983
Statusi i refugjatit në 13 gusht 2009 (N. 229-09C00001)
6.
KADIYE Mohammed Abdi
Somalia,
28 mars 1988
Statusi i refugjatit dhënë në 25 qershor 2009 (N. 229-09C00011)
7.
HASAN Qadar Abfillzhi
Somalia,
8 korrik 1978
Statusi i refugjatit dhënë në 26 korrik 2009 (N. 229-09C00003)
8.
SIYAD Abduqadir Ismail
Somalia,
20 korrik 1976
Statusi i refugjatit dhënë në 13 gusht 2009 (N. 229-09C00006)
9.
ALI Abdigani Abdillahi
Somalia,
1 janar 1986
Statusi i refugjatit dhënë në 25 qershor 2009 (N. 229-09C00007)
10.
MOHAMED Mohamed Abukar
Somalia,
27shkurt 1984
Vdekur në një datë të panjohur
11.
ABBIRAHMAN Hasan Shariff
Somalia,
S’dihet data
Vdekur në nëntor 2009
12.
TESRAY Samsom Mlash
Eritrea,
S’dihet data
adresë e paditur
13.
HABTEMCHAEL Waldu
Eritrea,
1 janar 1971
Statusi i refugjatit dhënë në 25 qershor 2009 (N. 229-08C00311) ; banon në zvicër
14.
ZEËEIDI Biniam
Eritrea,
24 prill 1973
Banon në Libi
15.
GEBRAY Aman Tsyehansi
Eritrea,
25 qershor 1978
Banon në Libi
16.
NASRB Mifta
Eritrea,
3 korrik 1989
Banon në Libi
17.
SALIH Said
Eritrea,
1 janar 1977
Banon në Libi
18.
ADMASU Estifanos
Eritrea,
S’dihet data
Adresë e paditur
19.
TSEGAY Habtom
Eritrea,
S’dihet data
Mbajtur në kampin e bllokimit në Choucha, në Tunizi
20.
BERHANE Ermias
Eritrea,
1 gusht 1984
Statusi i refugjatit dhënë në Itali në 25 maj 2011 ; banon në Itali
21.
YOHANNES Robel Abzaghi
Eritrea,
12 qershor 1985
Statusi i refugjatit dhënë në 8 tetor 2009
(N. 507-09C001346) ; Banon në Bénin
22.
KERI Telahun Meherte
Eritrea,
S’dihet data
Adresë e paditur
23.
KIDANE Hayelom Mogos
Eritrea,
24 shkurt 1974
Statusi i refugjatëve dhënë në 25 qershor 2009 (N. 229-09C00015) ; réside en Suisse.
24.
KIDAN Kiflom Tesfazion
Eritrea,
29 qershor 1978
Statusi i refugjatit dhënë në 5 qershor 2009 (N. 229-09C00012) ; banon në Maltë.
© Këshilli i Europës/ Gjykata europiane e tëdrejtave të njeriut, 2012.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës europiane të të drejtave të njeriut janë frëngjjishtja dhe anglishtja. Ky përkthim është kryer me mbështetjen e Fondit të besimit për të drejtat e njeriut të Këshillit të Europës (/humanrightstrustfund). Ai nuk paraqet detyrim për Gjykatën, dhe kjo e fundit nuk mban asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e jurisprencës së Gjykatës europiane të të drejtave të njeriut (), ose çdo bazë të dhënash tjetër të cilës ia ka dhënë HUDOC. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo komerciale, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me treguesin e copyright si më sipër si dhe me referencën e Fondit të besimit për të drejtat e njeriut. Çdo person që dëshiron të përdorë tërësisht ose pjesërisht përkthimin për qëllime komerciale duhet ta njoftojë këtë më parë në adresën e mëposhtme: publishing@
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@
Full & Egal Universal Law Academy