HIRST kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(kërkesa nr.74025/01)
6 tetor 2005
Dhomë e Madhe
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesi është një shtetas britanik i lindur në vitin 1950, i cili ka vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në një burg të Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 2004, kur dhe u lirua me kusht.
2. Kërkuesi vuante dënimin në burg për shkak se në vitin 1980 ai u dënua për vrasje për shkak të aftësive të kufizuara mendore. Një raport mjekësor i cilësonte veprimet e tij si veprime anormale. Ai u dënua me burgim të përjetshëm me të drejtë rishikimi.
3. Në 25 qershor të vitit 1994 u mblodh Bordi për Shqyrtimin e Akordimit të Lirimit me Kusht me qëllim vlerësimin e situatës së kërkuesit. Ky bord nuk e aprovoi lirimin e tij me kusht me argumentin se ai vazhdonte të përbënte rrezik të lartë për shoqërinë dhe për këtë arsye, kërkuesi u rikthye për të vazhduar dënimin e tij në burg.
4. Ligji elektoral britanik i vitit 1983 ndalonte për të votuar kërkuesin apo edhe persona të tjerë të cilët vuanin dënim të ngjashëm me të.
5. Kërkuesi iu drejtua Gjykatës së Lartë me pretendimin se duke i mohuar të drejtën e tij për të votuar ishte shkelur Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kërkesa e tij u refuzua nga gjykata, po ashtu edhe apelimi ndaj vendimit të gjykatës.
6. I gjendur në këtë situatë, kërkuesi iu drejtua Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar se përjashtimi i tij nga mundësia dhe drejta për të votuar në Mbretërinë e Bashkuar përbënte shkelje të nenit 3 të Protokollit1 të Konventës. Ai mbështeti pretendimet e tij gjithashtu edhe në nenin 10 dhe 14 të Konventës.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 3 të Protokollit1
7. Gjykata theksoi faktin se neni 3 i Protokollit 1 të Konventës është një e drejtë dhe jo një privilegj që mund t`i jepet personave të caktuar. Kjo e drejtë duhet të qëndrojë në bazë të çdo demokracie të zhvilluar në botë.
8. Por ashtu siç është shprehur edhe në raste të tjera, Gjykata vërejti se kjo e drejtë nuk është absolute dhe se palët e larta kontraktuese gëzojnë një hapësirë të gjerë vlerësimi mbi këtë drejtë. Zgjedhjet në vende të ndryshme vijnë dhe organizohen në forma të ndryshme për shkak të kontekstit të tyre historik dhe zhvillimeve të ndryshme ekonomike, sociale dhe kulturore.
9. Gjykata theksoi se çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të ndjekë një qëllim objektiv legjitim dhe të respektojë parimin e proporcionalitetit. Përjashtimi i grupeve të ndryshme të popullsië nga votimi duhet t`i shërbejë ruajtjes dhe garantimit të zgjedhjeve në vend dhe nuk duhet të cenojnë thelbin e nenit 3 të Protokollit 1 të Konventës.
10. Për rastin e të dënuarve, Gjykata është shprehur edhe në çështje të tjera që ata janë të përjashtuar vetëm nga e drejta për të qenë të lirë dhe gëzojnë çdo të drejtë tjetër të garantuar nga Konventa, duke theksuar këtu se privimi i lirisë vjen si pasojë e veprimeve të tyre në kundërshtim me ligjin. Nuk është e drejtë që të burgosurit të privohen nga e drejta e tyre për të votuar, vetëm për faktin se ato janë në atë gjendje.
11. Përsa i përket qëllimit legjitim, Gjykata u shpreh se neni 3 i Protokollit1 nuk përcakton në mënyrë shteruese arsyet apo nevojën përse shteti mund t`i privojë këtë të drejtë një individi, duke qenë se rastet mund të jenë nga më të ndryshmet. Në rastin konkret qeveria u shpreh se në këtë mënyrë, ligji shërben në uljen e kriminalitetit në vend dhe nxit respektimin e ligjit. Gjykata e pranon se kjo mund të konsiderohet si qëllim legjitim.
12. Duke u ndalur në parimin e propocionalitetit, Gjykata u shpreh se numri prej 48 000 të dënuarish që ishin privuar nga kjo e drejtë, përbënte një numër të paneglizhueshëm personash. Sipas saj, ligji përfshinte një gamë të gjerë dënimesh dhe krimesh, që varionin nga dënimi me një ditë burg, në atë me burgim të përjetshëm, nga krime të lehta në ato me rrezikshmëri shumë të lartë.
13. Gjithashtu, Gjykata vuri theksin tek mungesa e një debati parlamentar apo dhe mes ekspertëve të sistemit gjyqësor në Mbretërinë e Bashkuar, mbi ndryshimet e fundit mbi dënimet penale dhe të drejtat e njeriut, për të diskutuar propocionalitetin e ligjit aktual. Në vend, përjashtimi i këtij grupi personash për të votuar shikohej më shumë si një çështje me rëndësi për Parlamentin sesa për sistemin e drejtësisë, ku asnjë gjykatë lokale nuk kishte marrë iniciativën për të shqyrtuar proporcionalitetin e këtij ligji.
14. Përsa i përket qëllimit të këtij ligji, Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e vetmja palë e lartë kontraktuese që kishte marrë këto masa, madje ajo kishte ligjin me efektet më të lehta ndër ato shtete, që e privonin këtë të drejtë. Kishte pasur shumë raste që personat ishin lejuar të votonin dhe çdo person e fitonte të drejtën për të votuar në momentin që ai rifitonte lirinë.
15. Pavarësisht situatës së lartpërmendur, faktit që kishte pasur disa përmirsime me Aktin e vitit 2000, apo se Mbretëria e Bashkuar gëzonte një hapësirë të gjerë vlerësimi, Gjykata arsyetoi se kjo masë ishte diskriminuese dhe i hiqte të drejtën për të votuar një numri të konsiderushëm njerëzish.
16. Gjykata u ndal në veçanti te fakti se çdo i dënuar, pavarësisht krimit apo dënimit, gjatë kohës që vuante dënimin e humbiste këtë të drejtë. Sipas Gjykatës, pavarësisht se Konventa i njeh një hapësirë të gjerë vlerësimi shteteve anëtare, kjo masë e përgjithshme nuk mund të pranohet se është në përputhje me frymën e Konventës. Në fund ajo u shpreh se në rastin objekt gjykimi ishte shkelur neni 3 i Protokollit 1 të Konventës.
17. Përsa i përket masës dëmshpërblyese, duke pasur parasysh qasjet e ndryshme ligjore që Mbretëria e Bashkuar po ndiqte për zgjidhjen e kësaj çështje, Gjykata ia la në dorë shtetit të paditur marrjen e vendimit për rastin konkret.
B. Në lidhje me nenin 10 dhe 14
18. Gjykata vlerësoi se asnjë nga faktet e çështjes nuk lidhet me shqyrtimin e këtyre neneve.
Full & Egal Universal Law Academy