Legal summary prepared for HUDOC by © Consulate General of the Republic of Kosovo in Strasbourg
Përmbledhje juridike e përgatitur për HUDOC nga © Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strasburg
June / Qershor 2026
Hurbain k. Belgjikës [Dhoma e Madhe] – 57292/16
Aktgjykim i datës 04.07.2023
Neni 10
Liria e shprehjes (E drejta për t’u harruar)
Nuk përbën shkelje të lirisë së shprehjes detyrimi i vendosur nga gjykatat vendase ndaj një gazete për të hequr emrin e një individi që shkaktoi një aksident automobilistik fatal, nga versioni digjital i artikullit që raportonte aksidentin dhe që fillimisht ishte botuar në shtypin ditor njëzet vjet më parë.
Faktet
Përmes një artikulli të vitit 1994 gazeta belge Le Soir raportonte për një aksident të shkaktuar nga personi G. nën efektin e alkoolit. Dy persona kishin vdekur. Emri i plotë dhe profesioni (doktor) i G. shfaqeshin në artikullin origjinal.
Në vitin 2006, pas vuajtjes së dënimit, G. u rehabilitua.
Në vitin 2008 gazeta ngarkoi në faqen e saj të internetit të gjithë artikujt e publikuar në shtyp nga viti 1989, përfshirë artikullin ku shfaqej emri dhe profesioni i G. i cili i kërkoi gazetës që ta hiqnin emrin e tij nga artikulli, pra ta anonimizonin atë në bazë të së “drejtës për t’u harruar”. Gazeta refuzoi.
Në vitin 2014 gjykatat belge pranuan padinë e G. kundër gazetës dhe detyruan këtë të fundit që të largonte emrin e G. nga versioni digjital i artikullit. Gazeta (ankuesi/parashtruesi i kërkesës) pranë GjEDNj pretendoi që ky vendim cenonte lirinë e saj të shprehjes sipas Nenit 10 të Konventës.
Arsyetimi juridik i GjEDNj
Natyra e informacionit të arkivuar: artikulli raportonte një sërë aksidentesh, përfshirë atë të shkaktuar nga G.. Procedura gjyqësore ndaj G. që pasoi aksidentin nuk kishte marrë vëmendje të posaçme në media. Megjithëse me pasoja tragjike, interesi për informacionin e raportuar nuk ishte i tillë që të mbetej i pandikuar nga kalimi i kohës.Koha e kaluar nga ngjarja, botimi fillestar në gazetë dhe internet: në gazetën e shtypur artikulli ishte botuar në vitin 1994 ndërsa në vitin 2008 gazeta i kishte ngarkuar të gjithë artikujt në arkivin e saj online. G. ishte rehabilituar në vitin 2006 dhe pas gjithë atyre viteve ai kishte të “drejtën për t’u harruar”, pra për t’u rikthyer në shoqëri pa iu rikujtuar vazhdimisht e kaluara e tij.Interesi bashkëkohor i informacionit: Megjithëse me pasoja tragjike, ngjarja e raportuar ishte e zakonshme dhe artikulli nuk kontribuonte në një debat shoqëror bashkëkohor.Karakteri publik ose privat i individit që thirret në ”të drejtën për t’u harruar” dhe sjellja e tij pas ngjarjes: G. nuk ishte as nuk është person publik. Fakti i vetëm që ai është doktor nuk e ndryshon këtë përfundim. Ai asnjëherë nuk i kishte bërë publicitet ngjarjes në fjalë.Pasojat negative nga disponueshmëria e vazhdueshme e informacionit online: Kushdo që kërkonte emrin e G. në motorin e kërkimit të gazetës ndeshte lehtësisht artikullin në fjalë çfarë cenonte reputacionin tek pacientët, kolegët dhe të njohurit. Ky fakt e pengonte rikthimin e G. në shoqëri pavarësisht se ai e kishte vuajtur dënimin për aksidentin e shkaktuar dhe ishte rehabilituar.Qasshmëria e informacionit në arkivin digjital: arkivi online i gazetës ishte i qasshëm pa pagesë dhe pa kufizime të tjera.Pasojat e masës në lirinë e shprehjes dhe të shtypit: gjykatat vendase nuk urdhëruan ndryshimin ose heqjen e artikullit origjinal të publikuar në shtypin e shkruar; ai vazhdonte të ishte i plotë dhe përmbushte kështu nevojën e pasjes së një arkivi të plotë dhe të besueshëm; detyrimi për gazetën lidhej vetëm me anonimizimin e versionit digjital të artikullit, çfarë është një ndërhyrje më e lehtë në lirinë e shprehjes. Pra, sipas GjEDNj, anonimizimi i versionit digjital të artikullit nuk cenoi thellësisht funksionimin e gazetës dhe lirinë e saj të shprehjes.Përfundimi: nuk ka shkelje të lirisë së shprehjes sipas nenit 10 KEDNJ
GjEDNj konstatoi se gjykatat vendase morën në konsideratë në një mënyrë koherente natyrën dhe seriozitetin e fakteve të raportuara në artikullin në fjalë, faktin që artikulli nuk kishte interes tematik, historik apo shkencor, dhe faktin që G. nuk ishte shumë i njohur. Përveç kësaj, ato gjykata i kushtuan rëndësi dëmit serioz të pësuar nga G. si rezultat i disponueshmërisë së vazhdueshme dhe të pakufizuar në internet të artikullit, i cili mund të përbënte një lloj “certifikate virtuale mbi dënimin penal”, veçanërisht duke pasur parasysh kohën që kishte kaluar që nga publikimi origjinal i artikullit. Për më tepër, pasi shqyrtuan masat e ndryshme që mund të merreshin në konsideratë për të drejtpeshuar të drejtat në fjalë, gjykatat vendore vendosën se anonimizimi i artikullit nuk impononte një barrë të tepërt dhe të pazbatueshme mbi ankuesin (gazeten), ndërsa përbënte mjetin më efektiv për mbrojtjen e privatësisë së G.-së.
Në këto rrethana, GjEDNj konstatoi se gjykatat vendase kanë drejtpeshuar me kujdes të drejtat në pyetje në përputhje me kërkesat e Konventës.
Shënim: Aktgjykimi i plotë i GjEDNj është më i detajuar dhe nuancuar; kjo përmbledhje përmban vetëm elementet thelbësore të arsyetimit dhe përfundimet kyçe të GjEDNj.