SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA HYSI KUNDËR SHQIPËRISË
(Kërkesa nr. 72361/11)
VENDIM
STRASBURG
22 maj 2018
I FORMËS SË PRERË
22.8.2018
Ky vendim është bërë i formës së prerë bazuar në nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund të bëhet objekt i rishikimit redaktues.
Në çështjen Hysi kundër Shqipërisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur si një Dhomë, e përbërë nga:
Robert Spano, kryetar,
Paul Lemmens,
Ledi Bianku,
Işıl Karakaş,
NebojšaVučinić,
Jon Fridrik Kjølbro,
Stéphanie Mourou-Vikström, gjyqtarë,
dhe Stanley Naismith, kryesekretar i Seksionit,
pasi diskutoi me dyer të mbyllura, më 17 prill 2018,
shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në po atë datë:
PROCEDURA
1. Çështja filloi me një kërkesë (nr. 72361/11) kundër Republikës së Shqipërisë, paraqitur në Gjykatë, në datën 7 nëntor 2011, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”), nga shtetasi shqiptar, z. Ardit Hysi (“kërkuesi”).
2. Kërkuesi u përfaqësua nga z. A. Meta dhe Znj. N. Meta, avokatë, të cilët e ushtrojnë profesionin në Tiranë. Qeveria shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj në atë kohë, zj. L. Mandia nga Avokatura e Shtetit.
3. Kërkuesi u ankua mbështetur në nenin 6 §§ 1 dhe 3 (c) dhe (d) të konventës, për gjykimin e tij në mungesë.
4. Më 26 qershor 2012, kërkesa iu komunikua Qeverisë.
5. Qeveria kundërshtoi kategorikisht shqyrtimin e çështjes nga një Komitet (neni 28 § 1 (b)), me argumentin se përfshinte elementë të cilët nuk ishin objekt i praktikës gjyqësore të afirmuar të Gjykatës. Gjykata e pranon kundërshtimin.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Kërkuesi ka lindur në Qesarat, Tepelenë, në vitin 1977. Aktualisht, ai po vuan një dënim me burgim.
7. Në datën 14 janar dhe 10 nëntor 2005, në vijim të procedimeve në mungesë, Gjykata e Rrethit Gjirokastër dhe Gjykata e Apelit, respektivisht, e dënuan kërkuesin për vjedhje të mbetur në tentativë me pasojë vdekje, në bashkëpunim me të tjerë dhe e dënoi atë me 17 vjet burgim. Ky vendim u bë i formës së prerë në datën 9 shkurt 2007, pasi Gjykata e Lartë pushoi një apelim nga avokati i kërkuesit. Rezulton se kërkuesi u përfaqësua gjatë gjithë procedurave gjyqësore nga një avokat i caktuar nga familja e tij.
8. Rezulton se në datën30 mars 2007, kërkuesi u ekstradua nga Greqia në Shqipëri.
9. Në datën 3 maj 2007, Gjykata e Rrethit Gjirokastër pranoi një kërkesë nga kërkuesi për rivendosje në afat dhe ai paraqiti një apelim ndaj dënimit të tij në mungesë.
10. Në datën 12 nëntor 2007, Gjykata e Apelit Gjirokastër, teksa ricilësoi akuzat ndaj kërkuesit bazuar në të dhënat e marra gjatë procedimeve në mungesë, la në fuqi dënimin e kërkuesit, duke vendosur se ai ishte bërë res judicata.
11. Me anë të një vendimi të formës së prerë, të datës 7 tetor 2009, Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin ndaj kërkuesit, siç edhe u shpall me anë të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjirokastër të vitit 2005, duke vendosur se ai ishte bërë res judicata dhe se faktet dhe ligji në çështje ishin shqyrtuar më herët. Në vijim, Gjykata vërejti se nuk duhet të ishte dhënë rivendosja në afat përderisa çështja ishte bërë res judicata.
12. Në datën 21 shkurt 2011, kërkuesi paraqiti një apelim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, duke u ankuar, inter alia, për faktin se gjykatat vendëse nuk i kishin dhënë mundësinë për një përcaktim të ri faktik dhe ligjor të akuzës.
13. Në datën 9 maj 2011, avokati i kërkuesit u njoftua për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pushuar apelimin e tij.
II. LIGJI DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDËSE
14. Ligji dhe praktika përkatëse vendëse në atë kohë, në lidhje me procedimet në mungesë janë përshkruar në detaje në çështjen Shkalla kundër Shqipërisë (nr. 26866/05, § § 28–35, 10 maj 2011), dhe Izet Haxhia kundër Shqipërisë (nr. 34783/06, §§ 19–42, 5 nëntor 2013).
15. Parashikimet përkatëse, në atë kohë, në lidhje me qëllimin e shqyrtimit të një apelimi nga Gjykata e Apelit, përsëritja e shqyrtimit gjyqësor të çështjes nga Gjykata e Apeli dhe kompetencat e një gjykate apeli u përshkruan në detaje në çështjen Mulosmani kundër Shqipërisë (nr. 29864/03, § 106, 8 tetor 2013).
16. Në datën 30 mars 2017, Kodi i Procedurës Penale (“KPP”) u ndryshua me anë të ligjit nr. 35/2017 dhe dispozitat e reja hynë në fuqi në datën 1 gusht 2017. Dispozitat e reja të zbatueshme në çështjen konkrete parashikojnë si më poshtë:
Neni 147 – Rivendosje në afat (ndryshuar
në vitin 2017)
“Prokurori, i pandehuri, viktima, viktima akuzuese dhe palët private rivendosen në afatin e caktuar kur provojnë se nuk kanë pasur mundësi ta respektojnë afatin për shkak të rastit fator ose të forcës madhore.
2. Rivendosja në afat nuk lejohet më shumë se një herë për secilën palë për çdo shkallë të procedimit.
3. Kërkesa për rivendosjen në afat paraqitet brenda dhjetë ditëve nga zhdukja e faktit që përbënte rast fator ose forcë madhore. Për kërkesën vendos organi që procedon në kohën e paraqitjes së saj.
4. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për rivendosje në afat mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve. …”.
Neni 410 – Ankimi i të pandehurit (ndryshuar
në vitin 2017)
“2. Kundër vendimit të dhënë në mungesë, mbrojtësi mund të bëjë ankim vetëm kur është i autorizuar posaçërisht nga i pandehuri me akt përfaqësimi të lëshuar në format e parashikuara nga ligji ose me deklarim në seancë.”.
Neni 420 § 1 – Rivendosja në afatin e ankimit (shtuar në vitin 2007)
“1. Palët rivendosen në afatin e ankimit kur provojnë se nuk kanë pasur mundësi ta respektojnë afatin për shkak të rastit fajtor ose të forcës madhore ...
2. Kur gjykimi është zhvilluar në mungesë [si rezultat i tërheqjes të pandehurit nga ndjekja e procedimeve], i pandehuri mund të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim kur provon se nuk ka marrë dijeni për vendimin.
3. Kërkesa për rivendosjen në afat paraqitet brenda dhjetë ditëve nga zhdukja e faktit që përbënte rast fator ose forcës madhore. Për rastin e parashikuar në paragrafin 2 të këtij neni, kërkesa duhet të paraqitet brenda dhjetë ditëve, nga dita kur i pandehuri ka marrë dijeni efektivisht për vendimin. Rivendosja në afat nuk lejohet më shumë se një herë për secilën palë dhe për çdo shkallë të procedimit.
8. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për rivendosje në afat mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve..”.
Neni 450 – Rastet e rishikimit (ndryshuar
në vitin 2017)
“1. Rishikimi [i një vendimi të formës së prerë] mund të kërkohet:
a) kur faktet e vëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë;
b) kur [gjykata e cila ka dhënë] vendimin është bazuar në një vendim të gjykatës civile ose administrative, i cili është revokuar më pas;
c) kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar;
d) kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale;
e) kur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka miratuar një vendim që e bën të domosdoshëm rishqyrtimin e çështjes ...
f) kur ekstradimi i të dënuarit të gjykuar në mungesë jepet me kushtin e shprehur të rigjykimit të çështjes. Kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data kur personi është ekstraduar ...
g) kur personi është gjykuar në mungesë ... dhe kërkon rigjykimin e çështjes. Kërkesa për rishikim paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data e marrjes dijeni [për gjykimin në mungesë] ...”.
III. MATERIAL I KËSHILLIT TË EVROPËS
17. Në datën 21 shtator 2017, Komiteti i Ministrave dha vendimin për ekzekutimin e vendimit në çështjen Shkalla (cituar më sipër), në lidhje, midis çështjeve të tjera, moshapjen e procedimeve në mungesë nga autoritet shqiptare. Ky vendim, i cili u miratua në takimin e tij të 1265-të, për sa ka të bëjë me çështjen, parashikonte:
“Deputetët
1. me kënaqësi vunë re masat individuale të marra në këto çështje, veçanërisht se të gjithë kërkuesit kanë pasur mundësinë efikase për të përfituar rihapjen e procedimeve të kundërshtuara, si edhe faktin se për ata kërkues që kanë bërë kërkesën, u dhanë garancitë se procedimet e reja ose ishin realizuar ose do të realizoheshin në përputhje me kërkesat e nenit 6 të Konventës, dhe se teksa këto procedime do të ishin në vijim, kërkuesit mund të kërkon lirimin; duke marrë në konsideratë, sipas rastit, se për këtë grup çështjesh nuk kërkohen masa të tjera individuale;
...
3. i inkurajuan autoritetet të finalizonin shpejtë reformën në proces e sipër në sistemin gjyqësor për të parandaluar shkeljet e mëtejshme në lidhje me mungesën e garancive ndaj procedimeve penale të mbajtura në mungesë, të drejtën për mbrojtjen e dikujt në gjykatë dhe paraqitjen e dëshmitarëve; vendosi të vijonin me shqyrtimin e këtyre masave në çështjet Caka, Cani dhe Izet Haxhia dhe të mbyllte çështjet e ngjashme Berhani dhe Shkalla”.
18. Në datën 7 dhjetor 2017, Komiteti i Ministrave mori vendimin për ekzekutimin e vendimit në çështjen Izet Haxhia (cituar më sipër) në lidhje me, midis çështjeve të tjera, moshapjen e procedimeve në mungesë nga ana e autoriteteve shqiptare. Ky vendim, i cili u miratua në takimin e tij të 1302-të, parashikonte, për sa ka të bëjë me çështjen, si më poshtë:
“Deputetët
...
2. mirëpritën masat e përgjithshme të ndërmarra, veçanërisht, ndryshimet legjislative në Kodin e Procedurës Penale, miratuar më 30 mars 2017, në lidhje me garancitë për procedimet penale në mungesë, të drejtën për mbrojtjen e dikujt në gjykatë dhe paraqitjen e dëshmitarëve; mori në konsideratë se masat e përgjithshme të miratuara janë mjaftueshëm për të parandaluar shkelje të ngjashme dhe se në këtë mënyrë këto çështje mund të mbyllen”.
19. Në vendimin e po të njëjtës ditë, Komiteti i Ministrave parashikoi për sa ka të bëjë me çështjen, si më poshtë:
“Deputetët
...
Duke sjellë në vëmendjen e Qeverisë së paditur detyrimin, sipas Nenit 46, paragrafi 1 i Konventës, të pajtohet me të gjitha vendimet e formës së prerë, në çështjet në të cilat ka qenë palë, dhe se ky është një detyrim për shlyerjen e çdo shume të përcaktuar nga Gjykata, miratimin nga autoritetet e Shtetit të paditur, sipas kërkesës:
- të masave individuale për t’i dhënë fund shkeljeve dhe për eliminimin e pasojave të tyre, për të arritur sa më shumë të jetë e mundur restitutio in integrum;”.
20. Me anë të këtij vendimi, Komiteti i Ministrave mbylli shqyrtimin e vendimit të çështjes Izet Haxhia.
LIGJI
SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS
21. Kërkuesi u ankua mbështetur në nenin 6 §§ 1 dhe 3 (c) dhe (d) të Konventës për padrejtësinë në procedimet e mbajtura në mungesë. Ato parashikime përcaktojnë si më poshtë:
“1. Në përcaktimin e … çdo akuze penale kundër tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësish … nga [një] …gjykatë…
3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
…
c) të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij ose, në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
d) të pyesë, ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës…”.
22. Qeveria i kundërshtoi pretendimet e kërkuesit.
A. Pranueshmëria
23. Qeveria parashtroi se Shteti shqiptar ishte në procesin e reformës në drejtësi, me qëllim përmirësimin e legjislacionit dhe garantimin e të drejtave themelore të individëve. Në kuadër të programit të reformës, Shteti kishte bërë ndryshime thelbësore në legjislacionin penal me anë të ligjit nr. 35/2017, të datës 30 mars 2017, më konkretisht me anë të neneve 410 dhe 449–451 të KPP-së dhe njohjen e një dispozite të re, neni 420 § 1. Gjithashtu, Qeveria parashtroi se Komiteti i Ministrave kishte mbyllur shqyrtimin e vendimeve në çështjet Shkalla kundër Shqipërisë nr. 26866/05, 10 maj 2011) dhe Izet Haxhia kundër Shqipërisë (nr. 34783/06, nëntor 2013).
24. Gjithashtu, Qeveria parashtroi se mangësitë e brendshme të konstatuara në çështjet Shkalla dhe Izet Haxhia (cituar më sipër), të cilat po ashtu, lidhen me çështjen konkrete, ishin adresuar me anë të masave të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi, për të parandaluar shkelje të ngjashme në të ardhmen, të lidhura me padrejtësinë e procedimeve penale.
25. Kërkuesi nuk paraqiti ndonjë vërejtje. Megjithatë, ai ruajti në fakt korrespondencën me Gjykatën, duke treguar interesin e tij në ndjekjen e kërkesës.
26. Gjykata rithekson se vlerësimi nëse mjetet vendëse janë shteruar, normalisht realizohet duke iu referuar datës në të cilën është paraqitur kërkesa. Megjithatë, ky rregull ka përjashtime, të cilat mund të justifikohen me anë të rrethanave të veçanta të secilës çështje (shih për shembull Baumann kundër Francës, nr. 33592/96, § 47, GJEDNJ 2001–V (ekstrakte). Në këtë kontekst, Gjykata do të shqyrtojë nëse Qeveria ka paraqitur ndonjë mjet efikas në vitin 2017, të cilin do të mund ta përdorte kërkuesi, duke marrë në konsideratë referencën eksplicite të Qeverisë tek ato parashikime, çka gjykohet si e përshtatshme nga Gjykata për trajtimin si kundërshtim paraprak.
27. Fillimisht, Gjykata vëren se rivendosja në afat parashikuar në nenin e ri 420 § 1 të KPP-së përcakton se një kërkesë e tillë duhet të paraqitet brenda dhjetë ditëve nga data në të cilën i pandehuri, në mënyrë efikase, “kërkon të bëhet me dije” për vendimin. Gjithashtu, rivendosja në afat nuk mund të jepet më shumë se një herë për secilën palë dhe në secilën fazë të procedimeve. Për këtë arsye, Gjykata arrin në përfundimin se duke qenë se kërkuesi është informuar për dënimin e tij në mungesë, më 30 mars 2007, si data e fundit (shih paragrafin 8 më sipër), ai nuk mund ta përdorë një mjet të tillë.
28. Së dyti, Gjykata vëren se sipas nenit 450, nënparagrafët (f) dhe (g) të ndryshuar, kërkesa për rishikimin e një vendimi të formës së prerë duhet të paraqitet brenda tridhjetë ditëve që nga data në të cilën është ekstraduar personi, ose nga data në të cilën i pandehuri është vënë në dijeni për gjykimin në mungesë. Sipas rastit, për sa u përket rrethanave të çështjes, Gjykata arrin në përfundimin se kërkuesi nuk mund ta përdorë atë mjet, gjithsesi.
29. Së treti, Gjykata vëren se nuk ka asnjë parashikim të ri në KPP, që i lejon gjykatat vendëse të shqyrtojnë pa afat çështjet e vjetra, për të cilat gjykimi është kryer në mungesë.
30. Së katërti, Gjykata vëren se Qeveria nuk paraqiti ndonjë praktikë gjyqësore vendëse, ku parashikimet e reja të KPP-së ishin zbatuar në rrethana të ngjashme me ato në çështjen konkrete.
31. Së fundmi, Gjykata vëren se Komiteti i Ministrave ishte i mendimit se masat e përgjithshme të miratuara ishin të mjaftueshme për të parandaluar shkelje të ngjashme. Megjithatë, për aq kohë sa çështja nuk u përmend në rastet e Shkallës dhe Izet Haxhisë (cituar më sipër), Komiteti i Ministrave nuk vendosi se masat e përgjithshme të miratuara do të parandalonin shkelje të ngjashme për sa u përket çështjeve të vjetra në të cilat gjykimi ishte zhvilluar në mungesë, ku afatet kohore për përdorimin e mjeteve të garantuara sipas parashikimeve të reja të KPP-së tashmë kishin përfunduar. Gjithashtu, Gjykata i referohet rëndësisë së masave individuale për t’i dhënë fund shkeljeve të konstatuara dhe për të fshirë pasojat e tyre, për të arritur sa më shumë të ishte e mundur restitutio in integrum (shih paragrafin 18 më sipër).
32. Për të gjitha arsyet e mësipërme, Gjykata arrin në përfundimin se mjetet e reja të njohura në vitin 2017, të cilat mund të jenë efikase për situatat pas hyrjes në fuqi të parashikimeve të reja të KPP-së, nuk zbatohen për çështjen konkrete. Sipas rastit, Gjykata rrëzon kundërshtimin paraprak të Qeverisë.
33. Gjykata vëren se kërkesa nuk është qartazi e pabazuar në fakte, sipas kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Në vijim, ajo vëren se ajo nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër. Për këtë arsye ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
B. Meritat
34. Në formularin e kërkesës së tij, ankuesi pohoi se procedimet ndaj tij kishin qenë të padrejta, sepse ishin zhvilluar në mungesë. Ai nuk kishte hequr asnjëherë dorë nga e drejta e tij për t’u paraqitur në gjykatë. Ai nuk ishte bërë me dije për procedimet ndaj tij dhe nuk kishte mbajtur kontakte me anëtarët e familjes së tij. Ai ishte përpjekur të largohej për në Greqi, sepse kishte frikë nga gjakmarrja nga ana e familjes së viktimës. Më tej, ai pohoi se duhej të ishte bërë një përcaktim i ri i akuzës penale pasi Gjykata e Rrethit kishte pranuar kërkesën e tij për rivendosje në afat, më 3 maj 2007. Ky detyrim ndaj autoriteteve parashikohej në nenin 147 të KPP-së dhe u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 30, të datës 17 qershor 2010 (shih “Ligjin dhe praktikën përkatëse vendëse”, në paragrafin 14 më sipër).
35. Qeveria e pranoi faktin se kërkuesi ishte gjykuar dhe dënuar në mungesë. Megjithatë, argumentoi se procedimet vendëse nuk kishin qenë të padrejta. Gjithashtu, Qeveria u kundërpërgjigj se kërkuesi ishte përfaqësuar ose nga një avokat i caktuar nga familja ose nga një avokat i caktuar nga gjykata dhe se të drejtat e tij për mbrojtje ishin respektuar. Në vijim, Qeveria parashtroi se një përcaktim i ri i akuzës penale ishte marrë në konsideratë si një gjykim i ri. Ata iu referuan neneve 425, 427 dhe 428 të KPP-së, të cilët parashikonin një shqyrtim të një apeli nga Gjykata e Apelit dhe rifillimin e shqyrtimit gjyqësor si çështje nga Gjykata e Apelit dhe përcaktuan kompetencat e kësaj gjykatë (shih paragrafin 15 më sipër). Gjithashtu, u parashtrua se pretendimi i kërkuesit për rivendosje në afat bazohej në të njëjtat argumente si ato të parashtruara nga mbrojtja e tij gjatë gjykimit në mungesë.
36. Gjykata vëren se parimet e përgjithshme në lidhje me procedimet në mungesë janë përshkruar në Sejdovic kundër Italisë ([DHM], nr. 56581/00, §§ 81–95, GJEDNJ 2006‑II). Në vijim, Gjykata vëren se megjithëse procedimet të cilat mbahen në mungesën e të akuzuarit në vetvete nuk janë në mospërputhje me nenin 6 të Konventës, mohimi i drejtësisë gjithsesi vjen pa dyshim në rastin kur një person i dënuar në mungesë nuk mundet që të përfitojë nga gjykata, e cila ka dëgjuar çështjen e tij, një caktim të ri të meritave të akuzës, në lidhje me ligjin dhe faktin, në rastin kur nuk është përcaktuar se ai ose ajo ka hequr dorë nga e drejta e tij ose e saj për t’u paraqitur dhe për t’u vetëmbrojtur (shih Sejdovic, cituar më sipër, § 82 dhe Hokkeling kundër Holandës, nr. 30749/12, § 58, 14 shkurt 2017).
37. Në vijim, Gjykata vëren se garancitë në paragrafin 3 të nenit 6 janë aspekte specifike të së drejtës për një gjykim të drejtë parashikuar në paragrafin 1. Në këto rrethana, Gjykata e konsideron të panevojshme shqyrtimin e lidhjes së paragrafit 3 të çështjes, përderisa pretendimet e kërkuesit, në çdo rast, përmblidhen në ankesën se procedimet ishin të padrejta. Për këtë arsye, ajo do ta përmbyllë shqyrtimin e saj në atë pikë (shih Shkalla, cituar më sipër, § 67).
38. Në çështjen konkrete, palët nuk debatuan në lidhje me faktin se kërkuesi ishte gjykuar dhe dënuar në mungesë. Nuk u tregua se kërkuesi kishte mjaftueshëm njohuri për procedimet ligjore ndaj tij. Në fakt, u vërtetua se ai nuk ishte informuar për dënimin në mungesë deri në datën 30 mars 2007, kur u dorëzua tek autoritetet shqiptare (shih paragrafin 8 më sipër). Por gjithashtu, nuk u provua se ai kishte autorizuar në mënyrë eksplicite ose të nënkuptuar veprimet e pjesëtarëve të familjes së tij për apelimin ose se hoqi dorë nga e drejta e tij për t’u paraqitur në gjykatë pa mëdyshje duke iu shmangur qëllimisht drejtësisë (shih Izet Haxhia, cituar më sipër, § 63). Gjithashtu, edhe pse Gjykata e Rrethit Gjirokastër pranoi pretendimin e kërkuesit për rivendosje në afat, sipas nenit 147 të KPP-së, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, në vijim, nuk bënë një përcaktim të ri për akuzat ndaj tij. Ato theksuan se dënimi i tij fillestar ishte bërë res judicata, pa dhënë asnjë arsye tjetër çfarëdo qoftë për refuzimin tyre për të bërë një përcaktim të ri të këtij dënimi (shih Sejdovic, cituar më sipër, §§ 82–85).
39. Bazuar në sa më sipër, Gjykata konstaton se kërkuesi nuk pati mundësinë të përfitonte një përcaktim të ri të meritave të akuzave ndaj tij nga një gjykatë, e cila do ta kishte dëgjuar në procedime në përputhje me garancitë e drejtësisë së nenit 6 § 1.
40. Për këtë arsye, ka pasur nj shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës si për realizimin e procedimeve në mungesë dhe për mohimin që i është bërë kërkuesit për një shqyrtim të ri të meritave të çështjes.
II. ZBATIM I NENIT 41 TË KONVE-NTËS
41. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
42. Kërkuesi nuk paraqiti një kërkesë për kompensim të drejtë.
43. Gjykata rithekson konstatimet e saj në çështjen Shkalla (cituar më sipër, §§ 77–79), dhe Izet Haxhia (cituar më sipër, § 70), për faktin se në rastin kur një kërkues është dënuar në shkelje të të drejtave të tij ose të saj, siç garantohet në nenin 6 të Konventës, forma më e përshtatshme e korrigjimit është të sigurohet se kërkuesi është vendosur sa më shumë të jetë e mundur në pozicionin që do të kishte pasur, në rast se do të ishte respektuar ky parashikim. Forma më e përshtatshme e korrigjimit, në parim, do të ishte një gjykim i ri ose një rifillim i procedimeve, në rast se një gjë e tillë do të kërkohej.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NË MËNYRË UNANIME,
1. E deklaron kërkesën të pranueshme;
2. Gjykon se është shkelur neni 6 § 1 i Konventës;
Hartuar në anglisht dhe njoftuar me shkrim, në datën 22 maj 2018, bazuar në Rregullin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Stanley Naismith
Kryesekretar
Robert Spano
Kryetar
Full & Egal Universal Law Academy