JALOUD kundër HOLANDËS
(kërkesa nr. 47708/08)
20 nëntor 2014
Dhoma e Madhe
hetimi jo efektiv në lidhje me vrasjen e një shtetasi iraken nga ushtarët holandezë gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2004 ishte brenda juridiksionit të Holandës
I.Faktet kryesore
1.Kjo çështje ka të bëjë me vdekjen e Azhar Sabah Jaloud në një pikë kontrolli të automjeteve, e cila ishte nën drejtimin e ushtarëve holandezë dhe Trupave Irakiane të Mbrojtjes Civile (TIMC). Më 21 prill 2004, një makinë iu drejtua me shpejtësi pikës së kontrollit të automjeteve, duke goditur një prej fuçive të vendosura në mes të rrugës për të krijuar këtë pikë kontrolli. Automjeti u qëllua disa herë dhe shoferi ndaloi. Disa nga të shtënat vinin nga arma e togerit A, i cili komandonte ushtarët holandezë dhe të shtëna të tjera mund të jetë qëlluar nga ushtarë të TIMC. Azhar Sabah Jaloud, i cili ishte ulur në vendin e pasagjerit, ishte qëlluar në disa pjesë të trupit dhe pavarësisht nga përpjekjet e ushtarëve holandezë për t’i dhënë ndihmën e parë, ai u shpall i vdekur një orë më vonë.
2.Në lidhje me këtë ngjarje filloi një hetim nga Policia Ushtarake Mbretërore. Prokurori Publik Ushtarak i mbylli hetimet në qershor të vitit 2004 dhe vendosi të mos e ndjekë penalisht togerin A, duke arritur në përfundimin se Azhar Sabah Jaloud ishte qëlluar, mesa dukej, nga plumba irakenë. Megjithëse prokuroria pranoi se ishte qëlluar edhe nga togeri A, nuk kishte prova se ishte ai që kishte shkaktuar vdekjen e Azhar Sabah Jaloud. Prokuroria deklaroi që edhe në rast të kundërt, vrasja mund të justifikohet me supozimin se togeri A kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Gjykata e Apelit në Angli e la në fuqi vendimin e prokurorit për të mos e ndjekur penalisht togerin A. Ai arriti në përfundimin se togeri A kishte reaguar ndaj të shtënave të dala nga armët e kolegëve të tij nga ana tjetër e rrugës, duke menduar se ishin të shtëna armiqësore të bëra nga brenda makinës. Për këtë arsye, ai ka vepruar brenda udhëzimeve që kishte marrë dhe vendimi për të mos ndjekur atë penalisht ishte i arsyeshëm.
3.Përpara Gjykatës, kërkesa u soll nga z. Sabah Jaloud, që është babai i të ndjerit z. Azhar Sabah Jaloud.
II.Vendimi i Gjykatës
4.Kërkuesi u ankua në bazë të nenit 2, duke pretenduar se hetimi mbi rrethanat e vdekjes së djalit të tij nuk kishte qenë aq i pavarur dhe efektiv sa duhej. Qeveria holandeze ngriti një prapësim paraprak duke pretenduar se viktima nuk ishte brenda juridiksionit holandez për qëllimet e nenit 1. Më 9 korrik 2013, një Dhomë e Seksionit II të Gjykatës hoqi dorë nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe. Duke pasur parasysh rëndësinë dhe ndërlikimin e elementeve faktike dhe juridike të kësaj çështjeje, Dhoma e Madhe vendosi të bashkojë prapësimet paraprake me themelin e çështjes dhe e deklaroi çështjen të pranueshme.
A. Në lidhje me jurisdiksionin
5.Qeveria holandeze pretendoi se rrethanat e çështjes nuk përfshiheshin në juridiksionin e Holandës, sepse, së pari, Holanda nuk ka qenë një nga "fuqitë pushtuese" në Irak. Së dyti, theksoi ajo, ushtarët holandezë se nuk kishin ushtruar autoritet dhe kontroll përderisa pika e kontrollit ishte ngritur dhe drejtohej nga TIMC-i. Gjykata theksoi se një shtet nuk mund të çlirohet nga detyrimet e tij sipas nenit 2 duke thënë se ka ekzekutuar ose zbatuar një vendim ose urdhër të dhënë nga një autoritet i një shteti tjetër, që në rastin konkret ishte Mbretëria e Bashkuar[1]. Gjykata konstatoi se Holanda kishte "komandë të plotë" mbi personelin e saj ushtarak. Holanda kishte marrë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë në atë zonë në ditën e ngjarjeve dhe TIMC-i ishte thjesht nën varësinë e saj. Në këto kushte, Gjykata konstatoi se Holanda kishte juridiksion dhe hodhi poshtë kundërshtimin paraprak të qeverisë së saj.
B.Në lidhje me nenin 2
6.Në lidhje me elementin procedural të nenit 2, kërkuesi u ankua se Policia Ushtarake Mbretërore dhe prokurori publik ushtarak nuk kishin qenë të pavarur aq sa duhej, sepse ata ndanin kapanonet e banimit me personelin ushtarak të ushtrisë holandeze. Gjykata konstatoi se ky fakt nuk kishte ndikuar në pavarësinë e xhandarmërisë Ushtarake Mbretërore.
7.Gjithashtu, kërkuesi pretendoi se hetimi nuk kishte qenë i përshtatshëm. Gjykata konstatoi se hetimet kishin qenë të papërshtatshme në një sërë çështjesh: autoritetet gjyqësore dhe paditësi nuk kishin pasur akses në dokumentet që përmbanin informacion të rëndësishëm në lidhje me rrethanat e rastit, si p.sh. në listën e emrave të personelit të TIMC-it që kishin qëlluar, informacione të cilat i kishte togeri A. Gjithashtu, nuk ishin marrë masat për të parandaluar togerin A që të mund të koordinohej me dëshmitarë të tjerë para se ai të merrej në pyetje. Në vijim, u vërejt se kushtet në të cilat ishte bërë autopsia ishin të papërshtatshme për qëllimet e hetimeve dhe provat materiale, të tilla si copëza plumbash, kishin humbur. Gjykata konstatoi se këto mangësi mund të ishin shmangur dhe vlerësoi se Holanda kishte dështuar në përmbushjen e detyrimeve të saj procedurale sipas nenit 2 të Konventës. Për rrjedhojë ajo vendosi se ka pasur shkelje procedurale të këtij neni.
C. Në lidhje me nenin 41
8.Gjykata i njohu të drejtën për dëmshpërblim kërkuesit në masën prej 25,000 eurosh për dëmet jomateriale, si dhe 1,372.06 euro për kostot dhe shpenzimet.
[1] Kjo sepse Rezoluta 1483 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së caktonte vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe si fuqi pushtuese. Shih gjithashtu vendimin Al-Skeini kundër Britanisë së Madhe, të përfshirë në këtë botim.
Full & Egal Universal Law Academy