© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA JALOUD k. VENDEVE TË ULËTA
(Kërkesëpadia nr. 47708/08)
VENDIM
STRASBURG
20 nëntor 2014
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
SHKURTIME DHE AKRONIME
PROCEDURA
FAKTET.....................................................
A. Rethanat e çështje
1. Vdekja e Z. Azhar Sabah Jaloud
2. Hetimi
3. Procedura e brendshme
B. Armët e përdorura gjatë ngjarjeve objekt konflikti
1. Diemaco C7A1
2. Kallashnikovi AK-47
C. Prania ushtarake e Vendeve të Ulëta në Irak
1. Konteksti i përgjithshëm
2. Letra drejtuar Dhomës së Ulët të Parlamentit
3. Prania e Xhandarmërisë Mbretërore në Irak
D. Udhëzimet për personelin holandez të SFIR-së
1. Përkujtesa për komandatët e SFIR-së
2. Karta e ushtaarakut të SFIR-së
E. Xhandarmëria Mbretërore
F. Dhoma Ushtarake e Gjykatës së Apelit të Arnhemit
G. E drejta e brendshme dhe procedura e brendshme përkatëse
1. Kushtetuta e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta
2. Kodi Penal (Wetboek van Strafrecht)
3. Kodi Penal Ushtarak (Wetboek van Militair Strafrecht)
4. Ligji për procedurën penale ushtarake (Wet Militaire Strafrechtspraak)
5. Kodi i Procedurës Penale (Wetboek van Strafvordering)
H. Jurisprudenca e brendshme përkatëse
1. Çështja Eric O.
2. Çështjet Mustafić dhe Nuhanović
I. Dokumente të tjera të brendshme
1. Raport vlerësimi rreth zbatimit të procedurës penale ushtarake në operacinet e kryera jashtë shtetit
2. Raporti i Komisionit Van den Berg
3. Raport përfundimtar i vlerësimit
J. E drejta ndërkombëtare përkatëse
1. Rregullorja e Hagës
2. Konventa e Katërt e Gjenevës
3. Rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
4. Jurisprudenca e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
5. Nenet e Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtaare rreth përgjegjësisë së shtetit
K. Dokumente me rëndësi rreth pushtimit të Irakut
1. Dekreti nr. 28 i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit (Coalition Provisional Authority – CPA)
2. Memorandumi i mirëkuptimit të DMN (S-E) (divizioni shumëkombësh, juglindje)
3. Memorandumi i mirëkuptimit të DMN (C-S) (divizioni shumëkombësh, qendër-jug)
ANKESAT.................................................58
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 2 TË KONVENTËS
A. Rreth pranueshmërisë
1. Kërkesa për prapësim paraprak e Qeverisë
2. Përfundimi rreth pranueshmërisë
B. Rreth juridiksionit
1. Tezat e palëve
2. Vlerësimi i Gjykatës
C. Rreth mospërmbushjes së pretenduar të detyrimit për të kryer hetime i cili rrjedh nga neni 2
1. Tezat e palëve
2. Vlerësimi i Gjykatës
II. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
A. Dëmi
B. Kosto dhe shpenzime
C. Kamatëvonesa
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
MENDIM PAJTUES I GJYQTARIT SPIELMANN, ME TË CILIN BASHKOHET GJYQTARI RAIMONDI
MENDIM PAJTUES I PËRBASHKËT I GJYQTARËVE CASADEVALL, BERRO-LEFÈVRE, ŠIKUTA, HIRVELÄ, LÓPEZ GUERRA, SAJÓ DHE SILVIS
(Përkthim)...................................................
MENDIM PAJTUES I GJYQTARES MOTOC.....................
SHKURTIME DHE AKRONIME
AOR
Zonë përgjegjësie operative (Area of operational responsibility)
CD-ROM
Disk optik dixhital vetëm për lexim
CENTCOM
Komanda Qendrore Amerikane (American Central Command)
CFLCC
Komandanti i Komponentit Tokësor të Forcave të Koalicionit (Coalition Forces Land Component Commander)
CIDC
Korpusi Irakian i Mbrojtjes Civile
CPA
Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit (Coalition Provisional Authority)
DMN (C-S)
Divizioni Shumëkombësh Qendër-Jug
DMN (S-E)
Divizioni Shumëkombësh Juglindje
DR
Komisioni Evropian i të Drejtave të Njeriut, Vendime dhe raporte
EUR
Euro (monedhë)
DhM
Dhoma e Madhe
GST
Ekipe mbështetëse për qeverinë (Government support teams)
GjEDNj
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Përmbledhje e vendimeve (nga viti 1999 deri më sot)
Gj.N.D.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
KSKB
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara
LJN
Landelijk Jurisprudentienummer (Numër jurisprudence kombëtare, Vendet e Ulëta)
LOC
Vija komunikimi
MOU
Memorandum mirëkuptimi (Memorandum of Understanding)
NATO
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut
PAROI
Projektnene rreth Përgjegjësisë së Organizatave Ndërkombëtare (Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare)
PJCC
Qendra e Përkohshme e Përbashkët për Koordinim (Provisional Joint Coordination Center – shërbime urgjence dhe administrate në Irak)
POD
Pikë zbarkimi
RCSNU
Rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
Përmbledhje
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Përmbledhje e vendimeve (1996-1998)
ROE
Rregullat e Angazhimit në Luftim (Rules of engagement)
SFIR
Forca e Stabilizimit në Irak (Stabilization Force in Iraq)
UNPROFOR
Forca Mbrojtëse e Kombeve të Bashkuara (Bosnjë-Hercegovinë 1992-1995)
VCP
Pikë kontrolli e automjeteve (Vehicle checkpoint)
Në çështjen Jaloud k. Vendeve të Ulëta,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Elisabeth Steiner,
Alvina Gyulumyan,
Ján Šikuta,
Päivi Hirvelä,
Luis López Guerra,
András Sajó,
Zdravka Kalaydjieva,
Aleš Pejchal,
Johannes Silvis,
Valeriu Griţco,
Iulia Antoanella Motoc, gjyqtarë,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 19 shkurt dhe 10 shtator 2014,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 47708/08) e drejtuar kundër Mbretërisë së Vendeve të Ulëta dhe me anë të së cilës një shtetas irakian, Z. Sabah Jaloud (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 6 tetor 2008 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësi është përfaqësuar nga Znja L. Zegveld dhe Z. A.W. Eikelboom, avokatë në Amsterdam. Qeveria holandeze (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj, Z. R.A.A. Böcker, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
3. Paditësi ankohej në veçanti se hetimi rreth vdekjes së të birit, Z. Azhar Sabah Jaloud, kishte qenë i papërshtatshëm. Ai shihte aty një shkelje të nenit 2 të Konventës.
4. Më 6 dhjetor 2011, kërkesëpadia i është njoftuar Qeverisë.
5. Më 9 korrik 2013, një dhomë e Seksionit të Tretë e përbërë nga Josep Casadevall, kryetar, Alvina Gyulumyan, Corneliu Bîrsan, Ján Šikuta, Luis López Guerra, Kristina Pardalos, Johannes Silvis, gjyqtarë, si edhe nga Santiago Quesada, sekretar seksioni, ka hequr dorë nga juridiksioni i saj në favor të Dhomës së Madhe, meqenëse asnjëra nga palët nuk e kishte kundërshtuar këtë gjë (nenet 30 i Konventës dhe 72 i Rregullores së Gjykatës).
6. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me dispozitat e neneve 26 §§ 4 e 5 i Konventës dhe 24 i Rregullores. Më vonë, Elisabeth Steiner, zëvendësgjyqtare, ka zëvendësuar Kristina Pardalos, e cila nuk ishte në gjendje të merrte pjesë.
7. Si paditësi ashtu edhe Qeveria kanë paraqitur vërejtje me shkrim. Vërejtje janë marrë edhe nga Qeveria britanike, të cilën kryetari e kishte lejuar të ndërhynte në procedurë (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 2 i Rregullores). Qeveria ndërhyrëse është përfaqësuar prej agjentes së saj, Znjës R. Tomlinson, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Komonuelthit.
8. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 19 shkurt 2014 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë e paditur
Ztë R. Böcker, Ministria e Punëve të Jashtme,agjent,
M. Kuijer, Ministria e Sigurisë dhe e Drejtësisë,
B. van Hoek, Prokuroria,
Komandanti H. Warnar, Ministria e Mbrojtjes,
Shtabi i Ushtrive,këshilltarë;
– për paditësin
Znja L. Zegveld,
Z.A.-W. Eikelboom,avokate;
– për Qeverinë britanike, qeveri ndërhyrëse
Znja R. Tomlinson, Ministria e Punëve të Jashtme
dhe e Komonuelthit, agjente,
Ztë J. Eadie QC,avokat,
J. Benson, Ministria e Punëve të Jashtme
dhe e Komonuelthit, këshilltar,
ZnjaM. Addis, Ministria e Punëve të Jashtme
dhe e Komonuelthit, vëzhguese.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Z. Böcker, Z. Eikelboom, Znjës Zegveld dhe Z. Eadie si edhe përgjigjet e tyre për pyetjet e drejtuara nga gjyqtarët.
FAKTET
9. Paditësi, Z. Sabah Jaloud, është një shtetas irakian i lindur më 1943 dhe me vendbanim në An-Nasiryah (Irak). Ai është i ati i të ndjerit Azhar Sabah Jaloud, të vdekur më 21 prill 2004 në moshën njëzet e nëntë vjeç.
A. Rrethanat e çështjes
1. Vdekja e Z. Azhar Sabah Jaloud
10. Më 21 prill 2004 rreth orës 2.12 të mëngjesit, një automjet i panjohur iu afrua një pike kontrolli automjetesh (VCP) të quajtur “B-13” në rrugën kryesore të furnizimit, “Jackson”, në veri të qytetit Ar-Rumaythah, në provincën Al-Muthanna, në pjesën juglindore të Irakut. Automjeti e ngadalësoi shpejtësinë e mori kthesë. Disa të shtëna me armë zjarri u zbrazën nga brenda automjetit mbi personat që ruanin VCP-në, të gjithë pjesëtarë të Korpusit Irakian të Mbrojtjes Civile (CIDC). Rojet u përgjigjën. Askush nuk u prek nga plumbat; automjeti u nis përsëri dhe u zhduk në errësirë.
11. E thirrur nga rreshteri Hussam Saad, i CIDC-së, i cili komandonte pikën e kontrollit, një patrullë prej gjashtë ushtarakësh holandezë e drejtuar nga togeri A. mbërriti në vendngjarje rreth orës 2.30.
12. Nja pesëmbëdhjetë minuta më vonë, një automjet i markës Mercedes iu afrua VCP-së me shpejtësi të madhe. Ai u përplas me një nga fuçitë që ishin vendosur në mes të xhadesë për ta krijuar pikën e kontrollit, por vazhdoi të shkojë përpara. Mbi automjetin u zbrazën disa të shtëna me armë zjarri: togeri A. zbrazi njëzet e tetë fishekë me një pushkë automatike Diemaco; ka mundësi gjithashtu që disa të shtëna të jenë zbrazur me Kallashnikov AK-47 nga një apo disa pjesëtarë të CIDC-së (paragrafët 21 dhe 49-52 të mëposhtëm). Atëherë drejtuesi e ndali automjetin.
13. I biri i paditësit, Z. Azhar Sabah Jaloud, ishte ulur në ndenjësen e pasagjerit në pjesën e përparme të automjetit. Ai kishte marrë disa plumba, sidomos në gjoks. Ushtarakët holandezë e nxorën atë nga automjeti dhe u përpoqën t’i japin ndihmën e shpejtë, mirëpo ai dha shpirt. Konstatimi i vdekjes së tij u bë një orë pas bataresë.
14. Trupit iu bë radiografi. Pamjet tregojnë disa objekte, të identifikuara si metalike, të cilat kishin zënë vend në gjoks dhe në pjesë të tjera të trupit.
15. Një autopsi u realizua nga një mjek irakian, i cili hartoi një raport të shkurtër në arabisht. Në trup u gjetën disa objekte metalike, të identifikueshme si copëza plumbash.
16. Nuk u përcaktua se nga kush ishte shtënë plumbi apo plumbat, as se cila armë ishte përdorur.
2. Hetimi
a) Fillimi i hetimit
17. Sipas një procesverbali të hartuar nga rreshteri i klasës së parë (wachtmeester 1e klasse) Schellingerhout, i Xhandarmërisë Mbretërore (Koninklijke marechaussee), detashmenti i As-Samawah, në sallën operative të batalionit kishte marrë në orën 3.25 një thirrje telefonike që njoftonte për batarenë. Sipas kësaj thirrjeje, një automjet ishte përplasur me VCP-në. Të shtëna me armë ishin zbrazur nga forcat e armatosura holandeze dhe irakiane. Pasagjeri i automjetit ishte plagosur dhe e kishin transportuar në spital. Xhandarmërisë Mbretërore i kërkohej që të bënte hetime.
18. Një grup roje (piketgroep) i Xhandarmërisë Mbretërore i përbërë prej shtatë vetash të shoqëruar me një interpret u nis në orën 3.50 dhe mbërriti në vendngjarje rreth orës 4.50. Rreshterët e klasës së parë Broekman dhe Van Laar, të Xhandarmërisë Mbretërore, filluan të mbledhin elemente prove në orën 5. Po në të njëjtën orë për këtë incident u informuan disa pjesëtarë të Xhandarmërisë Mbretërore në Hagë, si edhe prokurori pranë Gjykatës së Qarkut (rechtbank) të Arnhemit.
b) Sekuestrimi i kufomës, i automjetit dhe i armëve personale të togerit A. dhe të rreshterit Hussam Saad, të CIDC-së
19. Kufoma u sekuestrua nga marshalli (adjudant-onderofficier) Kortman, i Xhandarmërisë Mbretërore, në orën 7.30 dhe u transportua në spitalin e lëvizshëm në Camp Smitty. Në orën 11.45, pas marrjes së një lejeje me shkrim nga një gjykatë vendëse, trupi u transferua në spitalin e përgjithshëm në As-Samawah. Autopsia u krye nga një mjek irakian, në mungesë të çdolloj dëshmitari pjesëtar të policisë.
20. Mercedesi u sekuestrua rreth orës 5.10 nga marshalli Kortman, pastaj u rimorkiua deri në Camp Smitty.
21. Rreth orës 7.50, rreshteri i klasës së parë Schellingerhout bëri sekuestrimin e Kallashnikovit AK-47 të rreshterit Hussam Saad; rreth orës 11.55, ai sekuestroi edhe pushkën Diemaco C7A1 të togerit A. Pas kësaj, të dyja armët u etiketuan dhe u vunë në dispozicion të prokurorit të Arnhemit.
c) Deponimet e mbledhura nga pjesëtarë të Xhandarmërisë Mbretërore
22. Autoriteteve të ngarkuara me hetimin dhe organeve gjyqësore në kuadrin e procedurës së brendshme iu paraqitën deponimet e mëposhtme.
i. Z. Dawoud Joad Kathim
23. Më 21 prill 2004 rreth orës 5.5, marshalli Mercx, i Xhandarmërisë Mbretërore, mori deponimin e drejtuesit të Mercedesit, Z. Dawoud Joad Kathim, me ndihmën e një interpreti. Z. Dawoud Joad Kathim deklaroi se në mbrëmjen e një dite më parë kishte pirë dy kanoçe birrë, jo më shumë, dhe se nuk kishte qenë i dehur. Ai e kishte vënë re pikën e kontrollit vetëm atëherë kur kishte qenë tepër vonë për ta shmangur përplasjen me dy fuçi. Në atë moment ishte errësirë dhe nuk kishte ndriçim. Për habinë e tij të madhe, automjetit të tij i kishin shtënë me armë zjarri kur po kalonte pikën e kontrollit. Shokun e tij, Z. Azhar Sabah Jaloud, e kishin marrë plumbat. Ai e kishte dëgjuar këtë të fundit të thoshte se po vdiste. Ai dëshironte të ngrinte padi, sepse pika e kontrollit nuk ishte e sinjalizuar qartë.
ii. Rreshteri Hussam Saad, i CIDC-së
24. Më 21 prill 2004 rreth orës 5.15, rreshteri i klasës së parë Weerdenburg, i Xhandarmërisë Mbretërore, mori deponimin e rreshterit Hussam Saad, të CIDC-së. Ky i fundit deklaroi se kishte sinjalizuar për disa të shtëna nga një automjet aty rreth orës 2.10; togeri A. kishte mbërritur rreth orës 2.30. Në shoqërinë e këtij të fundit, të një ushtaraku tjetër holandez dhe të interpretit, ai ishte nisur për të gjetur gëzhoja. Papritmas kishte dëgjuar një zhurmë të madhe dhe kishte parë të afrohej një automjet që vinte nga Ar-Rumaythah. Ndonëse i ishte dhënë urdhër të ndalej, ky i fundit prapëseprapë kishte vazhduar të shkonte përpara. Ai kishte dëgjuar pastaj të shtëna që vinin nga ana e majtë e xhadesë. Për vete, ai nuk kishte hapur zjarr.
iii. Pjesëtarë të tjerë të CIDC-së
25. Rreshteri i klasës së parë Weerdenburg mori pastaj në pyetje ushtarakët e tjerë irakianë, por ata nuk dhanë informacione me rëndësi për çështjen.
iv. Z. Walied Abd Al Hussain Madjied
26. Më 21 prill 2004 rreth orës 7, rreshteri Klinkenberg, i Xhandarmërisë Mbretërore, mori deponimin e Z. Walied Abd Al Hussain Madjied, interpret i punësuar nga CIDC-ja. I interesuari deklaroi se e kishte shoqëruar ndërmjet dy pikash kontrolli patrullën e drejtuar nga togeri A. Kur kishte mbërritur te VCP-ja B1.3, ai ishte informuar për batarenë e parë nga rreshteri Hussam Saad, i CIDC-së, dhe ishte bashkuar me togerin A. e me persona të tjerë për të gjetur gëzhoja. Ai kishte dëgjuar papritmas një zhurmë fuçish që përmbyseshin, ishte kthyer dhe kishte parë të afrohej një automjet. Ai kishte bërtitur “Stop, stop, stop!”, por automjeti kishte vazhduar rrugën e tij. Nga ana tjetër e xhadesë, një ushtarak holandez kishte shtënë mbi automjetin. Pasi ky kishte ndaluar, ai u kishte shërbyer si interpret personave që ndodheshin në të. Pasagjeri e kishte krahun e majtë të mbuluar me gjak, kurse drejtuesi binte erë alkooli.
v. Rreshteri Teunissen
27. Më 21 prill 2004 rreth orës 9.30, rreshteri i klasës së parë Van Laar dhe rreshteri Klinkenberg, të Xhandarmërisë Mbretërore, morën deponimin e rreshterit (sergeant) të këmbësorisë Teunissen. Ky i fundit deklaroi se kishte mbërritur te VCP-ja B1.3 në orën 2 dhe se kishte marrë aty informacione nga rreshteri i CIDC-së. Bashkë me togerin e tij, rreshterin e CIDC-së dhe interpretin, ai i ishte ngjitur rrugës përpjetë në kërkim të gëzhojave. Rreth 100 metra nga vendroja e VCP-së, ai ishte kthyer, sepse një zhurmë e kishte bërë të hidhej përpjetë. Kishte parë një automjet të përplasej me VCP-në me shpejtësi të madhe; kur ai e kishte kaluar VCP-në, kishte dëgjuar të shtëna që vinin nga VCP-ja. Ky vetë bashkë me tre shokët e tij ishin hedhur vrik përtokë për t’u ruajtur. Kur automjeti kishte mbërritur tek ata, disa të shtëna me armë zjarri ishin zbrazur nga ana tjetër e xhadesë, aty ku ndodhej togeri. Kishte thirrur “Ndaloni zjarrin!”, por nuk e kishin dëgjuar. Kur kishin pushuar të shtënat, automjeti ishte ndalur. Pasagjerit i rridhte gjak në pjesën e poshtme e trupit dhe në shpatullën e majtë. Rreshteri Teunissen dhe ushtari Finkelnberg e kishin nxjerrë nga automjeti, e kishin shtrirë përdhe dhe i kishin lidhur plagët. Bashkë me togerin A., ai ishte përpjekur t’i bënte reanimacion, deri sa mjeku i tha se ishte e kotë.
vi. Togeri A., deponimi i parë
28. Më 21 prill 2004 rreth orës 11.15, rreshterët e klasës së parë Broekman dhe Van Laar, të Xhandarmërisë Mbretërore, e morën në pyetje togerin A., pasi e kishin paralajmëruar se deklaratat që bënte mund të përdoreshin kundër tij. Togeri A. deklaroi se ishte i ngarkuar me mbikëqyrjen e dy pikave të kontrollit të automjeteve, një nga të cilat ishte VCP-ja B1.3, në rrugën “Jackson”, në veri të qytetit Ar-Rumaythah. Pas sinjalizimit të bataresë së parë, ai kishte mbërritur te VCP-ja B1.3 rreth orës 2.30; kishte menduar t’i binte zonës përqark në këmbë për kontroll, i shoqëruar nga rreshteri Teunissen e nga rreshteri i CIDC-së. Rreth orës 2.45, një zhurmë e kishte bërë të hidhej përpjetë. Duke vështruar prapa, kishte parë dritën e fortë të dy fenerëve të një automjeti që po afrohej. Atëherë ishin zbrazur disa të shtëna armësh zjarri nga ai drejtim e, duke i dëgjuar ato, ishte hedhur vrik përtokë në anë të xhadesë për t’u ruajtur. Kishte pasur bindjen se të shtënat vinin nga brenda automjetit. Kur automjeti kishte mbërritur deri tek ai, kishte mbushur armën; kishte hapur zjarr mbi pjesën e pasme të automjetit sapo ky kishte kaluar. Kishte zbrazur njëzet e tetë fishekë me breshëri të shkurtra. Ai i ishte përgjigjur rrezikut që vinte nga fakti se ishte vënë i pari në shënjestër. E kishte përdorur të gjithë karikatorin, pra njëzet e tetë fishekë, çka kishte zgjatur rreth shtatë sekonda. Meqenëse pasagjeri ishte plagosur, ishte përpjekur bashkë me rreshterin Teunissen që t’i bënte reanimacion, deri në mbërritjen e ndihmave. Në atë moment, i plagosuri nuk kishte më puls. Pak më pas, kishte mbërritur komandanti i kompanisë; togeri A. i kishte raportuar.
vii. Ushtari Finkelnberg
29. Më 23 prill 2004 rreth orës 13.50, marshalli Kortman dhe rreshteri i klasës së parë Broekman, të Xhandarmërisë Mbretërore, morën deponimin e ushtarit Finkelnberg. Ky i fundit deklaroi se, më 21 prill 2004 në orën 2, i shoqëruar konkretisht nga togeri A. dhe rreshteri Teunissen, kishte mbërritur në VCP-në B1.4, ku rreshteri i CIDC-së e kishte njoftuar togerin A. se kishte pasur të shtëna me armë në VCP-në B1.3. Atëherë patrulla kishte shkuar në këtë pikë kontrolli, ku kishte mbërritur në orën 2.30. Togeri A., rreshteri Teunissen, rreshteri i CIDC-së dhe interpreti i ishin ngjitur rrugës përpjetë në drejtim të Hamzas, për të gjetur gëzhoja. Një automjet me ngjyrë të errët ishte afruar me shpejtësi dhe i kishte kaluar përbri, pastaj kishte kaluar pikën e kontrollit duke u përplasur me fuçitë e vendosura mbi xhade. Përmes intensifikatorit të tij të pamjeve, ai e kishte parë togerin A., në anën e majtë të xhadesë, teksa u fsheh për t’u ruajtur; pastaj ai kishte parë shkreptima që dilnin nga tytat e disa armëve nga ana e majtë e xhadesë dhe kishte dëgjuar të shtëna që vinin nga ai drejtim. Të shtënat ishin veç e veç. Në një çast, ai e kishte parë automjetin të ndalej. Gjatë të shtënave, e kishte dëgjuar rreshterin Teunissen të bërtiste “Ndaloni zjarrin!”. Kishte shkuar deri tek automjeti dhe i kishte prerë veshjet e pasagjerit. Ndërkohë që rreshteri Teunissen po jepte ndihmën e shpejtë, ai e kishte kontrolluar automjetin në kërkim të armëve. Kishte gjetur një frigorifer ku kishte një shishe pijeje alkoolike praktikisht të zbrazur. Pastaj ishte bashkuar me rreshterin Teunissen dhe me togerin A. në përpjekjet e tyre për t’i bërë reanimacion pasagjerit, deri sa u konstatua vdekja. Në deponimin e tij, ushtari Finkelnberg e qortoi togerin A. se kishte shtënë me armë ndërkohë që njerëzit e vet ndodheshin në anën tjetër të xhadesë dhe që kishte zbrazur aq shumë fishekë; ai qortoi gjithashtu edhe CIDC-në se kishte hapur zjarr në drejtimin e përgjithshëm të efektivave të vet.
viii. Rreshteri i kavalerisë Quist
30. Më 23 prill 2004 rreth orës 13.50, kapteri (opperwachtmeester) Wolfs dhe rreshteri i klasës së parë Van Laar, të Xhandarmërisë Mbretërore, morën deponimin e rreshterit të kavalerisë (wachtmeester) Quist. Ky i fundit deklaroi se më 21 prill 2004 rreth orës 2, ishte gjendur te VCP-ja B1.4 me togerin A. dhe me pjesëtarët e tjerë të njësisë së tij të patrullimit, e cila drejtohej nga rreshteri Teunissen. Kishte pasur të shtëna në VCP-në B1.3, ku kishin shkuar. Kur kishin mbërritur, ai nuk kishte dalluar asnjë pjesëtar të CIDC-së në pikën e kontrollit, por kishte parë një grup njerëzish në anën e majtë të xhadesë, përballë vendrojës. Ai kishte parkuar automjetin e vet dhe pastaj togeri A., rreshteri Teunissen, interpreti Walied dhe rreshteri i CIDC-së ishin nisur në këmbë drejt veriut, në kërkim të gëzhojave. Në një çast, ai kishte parë një automjet që afrohej me shpejtësi e që vinte nga Ar-Rumaythah; kur automjeti kishte mbërritur te pika e kontrollit, ishte përplasur me disa fuçi apo gurë që ishin vendosur aty. Kishte dëgjuar të shtëna armësh automatike që vinin nga vendi ku gjendeshin pjesëtarët e CIDC-së, të shtëna që pastaj kishin pushuar. Kishte pasur edhe disa të shtëna rreth 100 metra larg tij, por ai nuk ishte në gjendje të thoshte se kush kishte shtënë nga përpara. I dukej se të shtënat ishin zbrazur nga disa armë. E kishte parë automjetin të ndalej 50 metra më tutje. Kishte raportuar për situatën. I kishte parë togerin A. dhe rreshterin Teunissen teksa përpiqeshin t’i bënin reanimacion viktimës.
ix. Togeri A., deponimi i dytë
31. Më 23 prill 2004 rreth orës 15.35, rreshteri i klasës së parë Broekman dhe marshalli Kortman, të Xhandarmërisë Mbretërore, i morën deponimin e dytë togerit A. I interesuari deklaroi se herën e fundit që e kishte parë rreshterin e CIDC-së, ky i fundit gjendej në pikën e kontrollit dhe po e “ndreqte me marifet” (klungelen) pushkën e tij AK-47. Togeri A. i kishte thënë rreshterit që të mos e drejtonte armën drejt tij. Lidhur me batarenë, ai shtoi se, me aq sa i kujtohej, ka të ngjarë që të ishte shtrirë në një pjesë të sheshtë të xhadesë; nuk kishte shtënë duke qenë në këmbë. I kishte bërë frymëmarrje gojë më gojë pasagjerit të plagosur të automjetit dhe i kujtohej se ky i fundit vinte erë alkooli. Zëvendëskomandanti i kompanisë së CIDC-së i kishte dhënë një listë që tregonte emrat e pjesëtarëve të CIDC-së të cilët kishin hapur zjarr me armët e tyre si edhe numrin përkatës të fishekëve, dhe ai kishte kërkuar municione të reja.
d) Raporte të tjera hetimore
i. Shqyrtimi i automjetit Mercedes
32. Më 22 prill 2004, marshalli Voorthuijzen dhe rreshteri Heijden, të Xhandarmërisë Mbretërore, e ekzaminuan automjetin e sekuestruar një ditë më parë nga marshalli Kortman. Bëhej fjalë për një Mercedes Benz të zi, model 320 E AMG. Automjeti mbante targa të zeza me mbishkrime në alfabetin arab, të cilat mbulonin dukshëm disa targa të bardha mbi të cilat figuronin, me të zezë, disa germa në alfabetin latin e disa shifra. Automjeti paraqiste dëmtime që mund të kishin ardhur si rezultat i një përplasjeje me shpejtësi me objekte të huaja. Xhami i pasmë ishte i thyer. Disa vrima u konstatuan në pjesën e pasme të automjetit, në anën e djathtë e në atë të majtë të karrocerisë, si edhe nëpër ndenjëse. Në vende të ndryshme u gjetën copëza metali; njëra prej tyre, e identifikuar si fragment plumbi, e kishte përshkuar qartësisht ndenjësen e pasagjerit. Konkluzioni ku mbërrinte ekzaminimi ishte se automjeti ishte vënë në shënjestër si nga ana e majtë ashtu edhe nga ana e djathtë: në të majtë, me një armë që shtinte me municione të një kalibri më të vogël se 6 mm; në të djathtë, me një armë që shtinte me municione të një kalibri më të madh se 6 mm. Megjithatë, nuk mund të përcaktoheshin këndet e sakta të qitjeve mbi automjetin.
ii. Radiografi dhe fotografi
33. Më 9 maj 2004, marshallit Voorthuijzen dhe rreshterit Klinkenberg, të Xhandarmërisë Mbretërore, u erdhi një CD-ROM ku ndodheshin radiografitë e realizuara në trupin e Azhar Sabah Jaloud-it. Ato tregonin praninë e copëzave metalike në anën e majtë të kafazit të kraharorit, në kërdhokullën e majtë dhe në parakrahun e majtë. Radiografitë ishin bërë nga marshalli Dalinga, përpunues radiolog në Camp Smitty (As-Samawah, provinca Al-Muthanna).
34. Dosja përmban fotokopje të radiografive të sipërpërmendura, si edhe fotografi. Ato shoqërohen me përshkrimet që ndodhen në një raport zyrtar të marshallit Kortman. Midis fotografive ka pamje, disa të marra ditën, ca të tjera me sa duket natën, të një rruge dhe të një pike kontrolli. Shumë prej tyre tregojnë fishekë e gëzhoja përdhe, konkretisht disa të përshkruar si të kalibrit 7 x 39 mm (si ato të gjuajtura nga Kallashnikovi AK-47)[1], dhe një sasi gëzhojash të kalibrit 5,56 x 45 mm sipas shënimeve të dhëna (si ato të gjuajtura nga pushka Diemaco C7A1), të mbledhura grumbull krah për krah. Në disa fotografi të tjera shfaqet trupi i një burri të plagosur në një krah, në pjesën e sipërme të majtë të kurrizit dhe në kofshën e djathtë. Ca pamje të tjera tregojnë një Mercedes me ngjyrë të errët; hollësi jepen rreth pranisë në karroceri e në tapiceri të disa vrimave që mund të jenë shkaktuar prej plumbash.
iii. Raporti i nënkolonelit Awadu Kareem Hadi, të CIDC-së
35. Më 22 prill 2004, nënkoloneli Awadu Kareem Hadi, komandant i batalionit 603 të CIDC-së, i dërgoi nga shtabi i batalionit të tij një raport selisë së policisë irakiane. Ky raport shprehet si vijon (paditësi ka paraqitur një përkthim të përafërt nga arabishtja në anglisht të shkruar me dorë):
“Saktësime rreth aksidentit të ndodhur më (20/04/2004) dhe informacione me burim nga batalioni i parë (Ar-Rumaythah):
Në orën (21.05 [sic] pas mesnate) të datës (20/04/2004) [sic], një automjet i llojit (Mercedes) mbërrin me shpejtësi të madhe nga drejtimi i (Al Hamza) dhe shkon drejt (Al Nassiriya). Kur e arrin vendin e pikës së kontrollit, ai nuk ndalet dhe përplaset me pengesat e pranishme në pikën e kontrollit. Ai nuk i merr parasysh britmat e ushtarakëve që e urdhërojnë të ndalet, vazhdon rrugën e tij dhe nuk ndalon. Pas kësaj, ushtarakët holandezë e shohin se nuk kanë çfarë të bëjnë asgjë, hapin zjarr mbi automjetin dhe plagosin një individ ([Azhar Sabah Jaloud]). Ky i fundit vdes. Ishte i ulur në krah të drejtuesit të mjetit.
Përshëndetje.
[nënshkrimi] Nënkolonel Awadu Kareem Hadi
Kopje PJCC-së”
iv. Copëzat metalike
36. Një raport zyrtar i marshallit Voorthuizen, të Xhandarmërisë Mbretërore, i cili mban datën 21 qershor 2004, vë në dukje se më 2 qershor 2004 mbërriti një dokument në arabisht; i përkthyer me gojë nga një interpret, ai u identifikua si një raport i policisë së Bagdadit. Sipas këtij dokumenti, tre copëza metalike ishin ekzaminuar në Bagdad me kërkesën e policisë së Al‑Muthannasë, për identifikimin e municioneve nga e kishin prejardhjen dhe të armës që i kishte gjuajtur; meqenëse këto copëza ishin tepër të pakta, prejardhja e tyre gjithsesi nuk ishte përcaktuar dot. Një kopje e dokumentit të hartuar në arabisht ndodhet e bashkëngjitur me raportin e marshallit Voorthuijzen. Nuk është saktësuar as se kujt i ishin besuar këto copëza metalike, as se në cilin vend janë ruajtur ato.
e) Dokument irakian
37. Më 21 prill 2004, Z. Dawoud Joad Kathim, drejtuesi i Mercedesit, paraqiti pranë policisë irakiane një padi kundër ushtarakëve që kishin shtënë mbi automjetin e tij. Nga këto deklarata, ashtu siç janë mbajtur ato shënim me shkrim, del se Z. Dawoud Joad Kathim mendonte gabimisht se trupat e huaja që ishin përzier në këtë punë ishin polake dhe jo holandeze. Z. Dawoud Joad Kathim vuri në dukje madje se interpreti i kishte thënë të deklaronte se të gjitha të shtënat me armë zjarri ishin kryer nga CIDC-ja, ndërkohë që në të vërtetë ai nuk kishte parë asnjë pjesëtar të CIDC-së që të shtinte.
f) Raporti plotësues që përmban deponimet e pjesëtarëve të CIDC-së
38. Pasi Dhoma hoqi dorë nga juridiksioni i saj në favor të Dhomës së Madhe, Qeveria i ka paraqitur Gjykatës një procesverbal zyrtar të deponimeve të pjesëtarëve të CIDC-së. Ky procesverbal paraqitet më poshtë sipas një përkthimi të tij në anglisht të bërë nga një përkthyes i betuar dhe të përcjellë nga paditësi:
“Emri: A Saad Mossah
Numri i armës: GL 5574
Municione: 4 x 30 fishekë
“Gjatë incidentit të dytë, unë isha shtrirë në një vend ku isha i siguruar nga të gjitha anët. Pashë një automjet që vinte nga Ar-Rumaythahi e po i afrohej me shpejtësi VCP-së. E pashë të përplasej me dy fuçi afër VCP-së e të vijonte rrugën e tij. Eprori im [rreshteri Hussam Saad i CIDC-së] eci përpara bashkë me interpretin dhe me dy ushtarë holandezë pastaj dëgjova një numër të madh të shtënash. Unë për vete nuk shtiva asnjë herë. Nuk ju them dot asgjë më shumë.”
Emri: Haider Shareef
Numri i armës: UE 0481 1984
Municione: gjithsej 4 karikatorë dhe 120 fishekë
“Nuk ju them dot asgjë lidhur me incidentin e parë, sepse në atë moment po flija brenda në vendrojë.
Për sa i përket incidentit të dytë, unë isha në këmbë pranë VCP-së kur pashë një Mercedes që u drejtua drejt tij. E pashë atë automjet të përplasej me dy fuçi nafte, pastaj të vijonte rrugën e tij në drejtim të Hamsas. I dëgjova ushtarët holandezë të bërtisnin “stop, stop!” pastaj dëgjova të shtëna. Nuk kam parë asgjë tjetër se isha në këmbë prapa një kasolleje nga ana tjetër e vendrojës.”
INTERPRETI
Emri: Walied Abd Al Hussain Madjied
I lindur më 25-10-1969 në Kuvajt / Hawalli
“U nisëm në mesnatë për të bërë një patrullim. Qëndruam këtu deri në orën 1.30 pastaj u nisëm prapë me makinë për te pika tjetër. Sapo mbërritëm, komandanti i pikës së kontrollit tha se kishin pasur disa të shtëna në pikën e mëparshme të kontrollit. E dëgjova togerin V. [me gjasa, togerin A.] të thoshte se duhej të hipja në makinë dhe u kthyem te pika e kontrollit. Kur mbërritëm, kërkuam të na jepnin saktësime. Komandanti i pikës së kontrollit dhe rreshteri Hossam, i CIDC-së, na thanë se pasi kishim ikur ne ishte ndalur një kamion dhe se shoferi i tij kishte deklaruar se pas tyre po ecte një automjet i markës Opel. Pastaj aty pranë kishte ardhur një Opel, kishte bërë një gjysmë rrotullimi 100 metra përpara pikës së kontrollit dhe kishte fikur fenerët. Pastaj nga ky automjet mbi pikën e kontrollit ishin zbrazur disa të shtëna me armë zjarri. Rreshteri Hussam Saad ishte përgjigjur duke zbrazur dy nga karikatorët e tij, që kishin secili nga 30 fishekë, mbi këtë automjet. Kishin shtënë edhe njerëzit e rreshterit Hossman. Pasi dëgjuam këtë raportim, unë shkova bashkë me togerin V. për të kërkuar gëzhoja. Kaluam përpara pikës së kontrollit dhe tamam atëherë e kam dëgjuar zhurmën e fuçive që po rrëzoheshin. U ktheva dhe pashë se një automjet ishte përplasur me fuçitë e po vinte në drejtimin tonë. Mendoj se ky automjet nuk po ecte me shpejtësi. E pashë qartë që po bënte shmangie sa në njërin krah në tjetrin. Bërtita në arabisht “Stop, stop, stop!”, por automjeti vazhdoi të ecë. Burri kishte pamje të dehuri dhe i ngriti xhamat e dyerve. Pasi automjeti na kaloi edhe ne, dëgjova të shtëna. Një rreshter holandez më tha atëherë që të ruhem. Ai bërtiti që të ndalohej zjarri. Unë bërtita të njëjtën gjë në drejtim të njerëzve të CIDC-së. Një ushtar holandez i pozicionuar në anën tjetër të xhadesë vazhdoi të shtinte, pa u ndalur, edhe kur rreshteri holandez bërtiti që të mos qëllohej më. Kur automjeti u ndal, sipas udhëzimeve të rreshterit holandez, unë u përpoqa t’u flas njerëzve që ndodheshin në automjet. I thashë shoferit të dilte andej e të shtrihej përdhe, gjë që ai e bëri. Kur nisa t’i flas pasagjerit të ulur përpara, e dëgjova shoferin të thoshte se ky i fundit ishte plagosur. Atëherë iu afruam automjetit dhe çelëm portën e përparme nga ana e pasagjerit. Pashë gjak në krahun e majtë të pasagjerit. Atëherë shkova nga ana e shoferit, i cili deklaroi se kishin pirë e se nuk e kishin parë që kishte një pikë kontrolli. Fryma e shoferit kishte një duhmë të rëndë alkooli. U qëlluan edhe disa të shtëna ndërkohë që automjeti ishte tashmë i ndalur, por nuk e di se nga vinin. Kur shkuam të mblidhnim gëzhojat e lëna gjatë incidentit të parë, të gjithë u larguan nga pika e kontrollit; në xhade nuk kishte më asnjeri dhe ishte errësirë. Pikën e kontrollit nuk e ndriçonte asnjë dritë, çka do të thotë se nuk shihej qartë që në atë vend kishte një pikë kontrolli. Më duket e çuditshme që u qëllua mbi automjet, sepse në atë çast nuk kishte ndonjë shkëmbim zjarri. Mendoj se do të ishte dashur të bëhej një e shtënë paralajmëruese dhe se automjeti do të ishte ndalur. Mund t’ju them gjithashtu se, teksa po kërkonim gëzhojat e rëna gjatë incidentit të parë, unë po ecja në të njëjtën anë me rreshterin holandez dhe me rreshterin e CIDC-së. Kurse togeri holandez po ecte në anën tjetër. Nuk e di se sa vetë po ecnin në atë kohë pas meje. Mund të shtoj gjithashtu se nuk e di nëse ka pasur të shtëna nga automjeti që janë drejtuar mbi pikën e kontrollit gjatë incidentit të dytë.”
Më 21 prill 2004, rreth orës 5.15, u mor në pyetje:
Emri: Hussam Saad, personi në fjalë është SGT [sergent, rreshter] dhe CDT [commandant, komandant] i CIDC-së.
Numri i armës: 84MD5596; bëhet fjalë për një AK-47 që nuk ishte e mbushur në momentin e bisedës.
I interesuari zotëronte gjithashtu 2 karikatorë të plotë (2 x 30 fishekë).
Një karikator ishte i zbrazur.
“Kur mora detyrën, kisha në zotërim 120 fishekë. Rreth orës 2.10, zbraza 60 fishekë. Në atë çast, mbërriti një automjet që vinte nga Al Hamzaja dhe u ndal përpara VCP-së. Fenerët e automjetit ishin të shuar. Automjeti bëri një gjysmë rrotullimi për t’u kthyer në drejtim të Al Hamzasë. Dëgjova të shtëna dhe pashë flakërima arme zjarri që po dilnin nga automjeti. U përgjigja me AK-47 time. Në fillim të këtij incidenti, po qëndroja përpara vendrojës dhe pastaj vrapova drejt automjetit bashkë me tre kolegë të tjerë:
– Alla’a Adnan,
– Mohammad Khazem,
– Hameed Jaber.
Edhe këta tre kolegë kanë shtënë.
Rreth orës 2.15, automjeti befas u largua.
Pas kësaj, ne njoftuam menjëherë bazën. Togeri A. mbërriti te ne 20 deri 25 minuta më vonë. Komandanti, interpreti, togeri A. dhe një person tjetër u nisën për të kërkuar gëzhojat. Gjatë kësaj kohe, VCP-së iu afrua një automjet; po ecte në rrugën kryesore të furnizimit, në rrugën Jackson, duke ardhur nga Ruymaythahu, dhe po drejtohej për në Al Hamza.
Komandanti ndodhej në anën e djathtë të xhadesë (me vështrimin drejt Al Hamza-së), ku po kërkonte gëzhojat. Togeri A. ishte në anën e majtë të xhadesë (gjithmonë me vështrimin drejt Al Hamza-së), i zënë me të njëjtën punë.
Papritmas dëgjova një zhurmë që ngjante me atë të një makine që përplasej me fuçitë e VCP-së. E pashë automjetin të vazhdonte në drejtim të Al Hamzasë.
U përpoqëm ta ndalonim automjetin duke bërtitur. Pastaj dëgjuam të shtëna. Dëgjova të shtëna që vinin nga ana e majtë e xhadesë (me vështrimin drejt Al Hamzasë). Me sa di unë, njerëzit që ndodheshin në Mercedes nuk qëlluan. Një ushtar i ushtrisë holandeze qëndronte në anën e djathtë të xhadesë.
Unë për vete nuk kam shtënë as edhe një plumb të vetëm në drejtim të Mercedesit.”
Më 21 prill 2004 rreth orës 5.30 u mor në pyetje:
Emri: Hameed Jaber
Numri i armës: 84MD0596
Municione:
1 karikator me 15 fishekë,
2 karikatorë me 30 fishekë secili,
1 karikator me 25 fishekë.
“Në momentin e incidentit të dytë, unë ndodhesha i shtrirë prapa vendrojës. Pashë dhe dëgjova që u afrua një automjet; po vinte nga Ar-Rumaythahu. E kaloi VCP-në me shpejtësi të madhe dhe u përplas me dy fuçi. Pastaj dëgjova të shtëna. Nuk di asgjë më tepër. Gjatë incidentit të parë, kam zbrazur 15 fishekë.”
Më 21 prill 2004 rreth orës 6.15 u mor në pyetje:
Emri: Haider Mohsen
Numri i armës: GB 4140
Municione: 4 karikator me 30 fishekë secili.
“Gjatë incidentit të parë, po flija. Nuk munda të dal për shkak të të shtënave të drejtuara kundër vendrojës. Kur dola, pashë një automjet që po largohej në drejtim të Al Hamza-së.
Gjatë incidentit të dytë, pashë që po afrohej një Mercedes. Isha në këmbë në VCP. Në atë moment gjendeshim të siguruar në 360o. E dëgjova Mercedesin që u përplas me fuçitë e naftës, pastaj e pashë të vazhdonte me shpejtësi të madhe rrugën e vet në drejtim të Al Hamzasë.
Dëgjova një holandez të bërtiste “stop!”. Por automjeti nuk ndaloi.
Dëgjova të shtëna. E dëgjova automjetin të ndalej. Dëgjova disa zëra që vinin nga radioja e makinës; zëri ishte shumë i lartë. Nuk kam parë asgjë tjetër.”
Më 21 prill 2004 rreth orës 6 u mor në pyetje:
Emri: Ali Hussein
Numri i armës: S41297
Municione:
3 karikatorë me 30 fishekë secili,
1 karikator me 26 fishekë.
“Gjatë incidentit të dytë, po qëndroja shtrirë i siguruar nga të gjitha anët. Pashë një automjet që e përshkoi VCP-në me shpejtësi në drejtim të Al Hamzasë. Dëgjova një ushtar holandez që bërtiti “stop, stop!”. Nuk desha të qëlloj sepse njerëzit tanë po ecnin përpara VCP-së.
Pastaj dëgjova të shtëna. Gjatë incidentit të parë, kam qëlluar 4 herë. Atëherë isha në këmbë jashtë vendrojës.”
Më 21 prill 2004 rreth orës 5.45 u morën në pyetje:
Emri: Ahmed Ghaleb
Numri i armës: S54469
Municione: 4 x 30 fishekë
“Gjatë incidentit të parë, po flija brenda në vendrojë. Nuk kam bërë asnjë të shtënë. Gjatë incidentit të dytë, isha i shtrirë, i siguruar nga të gjitha anët, fare pranë vendrojës. Dëgjova një makinë që u përplas me dy fuçi. Makina vazhdoi të ecte shpejt (po e rriste qartazi shpejtësinë). Pastaj dëgjova të shtëna përpara VCP-së. Nuk di asgjë më shumë.”
Emri: Alâa A Dnan
Numri i armës: 84 MD 0890
Municione: 3 karikatorë me 30 fishekë dhe 1 karikator me 22 fishekë
“Kam shtënë gjatë incidentit të parë. Ishin disa të shtëna. (sic)
Gjatë incidentit të dytë, kisha zënë pozicion në një vend [të sigurt] nga të gjitha anët, i shtrirë në anën e majtë të xhadesë. Shihja në drejtim të Hamzasë. Pashë një automjet që mbërriti nga Ar-Rumaythahu. E kaloi VCP-në duke përmbysur dy fuçi. Nuk e kam parë se çfarë ka ndodhur në atë çast, por të shtëna kam dëgjuar që ç’ke me të.”
Emri: Ilia MOHAMMED KHAZEM, kapter
Numri i armës: 84 MD 6151
Municione: 4 karikatorë me gjithsej 120 fishekë
“Natën e shkuar nuk kam kryer asnjë të shtënë, sepse nuk mora urdhër për të qëlluar. Po qëndroja pranë VCP-së, i kthyer në drejtimin e Hamzasë. Në një moment të caktuar, dëgjova një automjet që u përplas me një fuçi nafte. Automjeti vijoi rrugën e vet drejt Hamzasë. I dëgjova holandezët që i bërtitën “stop!” shoferit të automjetit i cili e kishte kaluar VCP-në. Pastaj dëgjova ca të shtëna. Kur e pashë që Mercedesi ishte ndalur, edhe unë vrapova në drejtim të tij. Nuk mund ta shihja se kush ishte në këmbë në anën e majtë e në anën e djathtë të xhadesë ngaqë ishte errësirë.
Murtada Khazaat
Yasser Abd Alaal
Ahmed Shaker
Ali Hussein
Personat e sipërpërmendur kanë mbërritur në orën 4.10.”
Emri: SAHIB JASSIM
Numri i armës: 84 MV 7435
Municione: 4 karikator me gjithsej 120 fishekë
“Gjatë incidentit të parë, po qëndroja pranë VCP-së. Pashë një kamion që iu afrua VCP-së duke ardhur nga Hamzaja. Shoferi deklaroi se po e ndiqte një automjet dhe e tregoi me gisht automjetin në fjalë. Shtoi se bëhej fjalë për një Opel. Në një moment të caktuar, nga automjeti u qëllua me shumë të shtëna. Si kundërpërgjigje, kolegët e mi qëlluan të gjithë mbi automjetin. U vendosëm në formacion në 360o e pastaj automjeti vazhdoi rrugën e vet.
Gjatë incidentit të dytë, isha i shtrirë përdhe [i siguruar] nga të gjitha anët pranë VCP-së. Pashë një makinë që mbërriti duke ardhur nga Ar-Rumaythahu. Ecte me shpejtësi dhe u përplas me një fuçi nafte. Pastaj e kaloi drejt përmes VCP-së dhe dëgjova ca të shtëna. Nuk ju them dot asgjë tjetër që të mundë ta sqarojë situatën.”
3. Procedura e brendshme
39. Më 8 janar 2007, Znja Zegveld, avokate e paditësit, i shkroi në emër të të afërmve të Z. Azhar Sabah Jaloud prokurorisë pranë Gjykatës së Qarkut të Arnhemit nëpërmjet sekretarisë së Dhomës Ushtarake. Ajo kërkoi informacione rreth rezultateve të hetimit lidhur me vdekjen e Z. Azhar Sabah Jaloud dhe rreth vendimeve që mund të ishin marrë për sa u përkiste ndjekjeve penale ndaj të dyshuarve eventualë, kjo me qëllim për të nisur një procedurë mbi bazën e nenit 12 të Kodit të Procedurës Penale (Wetboek van Strafvordering) (shih këtu më poshtë).
40. Më 11 janar 2007, prokurori u përgjigj se hetimi ishte mbyllur në qershor 2004, se Z. Azhar Sabah Jaloud ishte goditur me gjasa (vermoedelijk) nga një plumb irakian, se ushtaraku holandez i cili kishte qëlluar gjithashtu mbi automjetin mund të sillte si argument vetëmbrojtjen dhe se për këtë arsye asnjë i dyshuar nuk ishte përcaktuar midis pjesëtarëve të efektivit ushtarak holandez.
41. Më 1 shkurt 2007, Znja Zegveld i shkroi prokurorit për t’i kërkuar, veçanërisht, që të përfshinte në dosje Rregullat e Angazhimit në Luftim (Rules of engagement – ROE) si edhe raportet eventuale lidhur me hetimet e kryera nga autoritetet irakiane.
42. Më 14 shkurt 2007, prokurori i rrëzoi këto kërkesa. Duke iu referuar vendimit të dhënë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen Ramsahai me të tjerë k. Vendeve të Ulëta (nr. 52391/99, 10 nëntor 2005), ai qe i mendimit se procedura e ndjekur në bazë të nenit 12 të Kodit të Procedurës Penale nuk kishte të bënte me themelësinë e një “akuze në lëmin penal”, se kështu pra neni 6 i Konventës nuk zbatohej dhe se për rrjedhojë modalitetet e qasjes në dosje në çështje të tilla ishin të ndryshme nga ato që zbatohen në një procedurë penale të zakonshme.
43. Më 2 tetor 2007, paditësi, i përfaqësuar prej avokatëve të tij, Znja Zegveld dhe Z. Pestman, paraqiti pranë Gjykatës së Apelit të Arnhemit, mbi bazën e nenit 12 të Kodit të Procedurës Penale, një kërkesë që synonte nisjen e ndjekjes penale kundër togerit A. Ai mbronte mendimin se nuk kishte asnjë element që ta vërtetonte pohimin se Z. Azhar Sabah Jaloud ishte vrarë nga një plumb irakian, se numri i të shtënave të kryera nga togeri A. dëshmonte për një dhunë të shpërpjesëtuar, se togeri A. nuk kishte bërë asnjë të shtënë paralajmëruese dhe nuk e kishte marrë parasysh thirrjen e rreshterit Teunissen për të ndaluar zjarrin, se në bazë të nenit 50 të Protokollit Shtesë I të Konventave të Gjenevës dhe në mungesë të çdo treguesi të kundërt, Z. Azhar Sabah Jaloud duhej të ishte konsideruar si një person civil e për këtë arsye nuk duhej të ishte bërë objekt qitjesh me shënjim me pushkë dhe se sidoqoftë përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga togeri A. nuk kishte qenë i nevojshëm. Paditësi mbështetej gjithashtu te deponimi i dhënë për policinë irakiane nga drejtuesi i automjetit e sipas të cilit këtij të fundit i paskëshin thënë që të mos fliste për përzierjen e disa ushtarakëve holandezë.
44. Më 28 janar 2008, kryeprokurori (hoofdofficier van justitie) pranë Gjykatës së Qarkut të Arnhemit i shkroi kryeavokatit të përgjithshëm (hoofdadvocaat-generaal) pranë Gjykatës së Apelit të Arnhemit për t’i rekomanduar rrëzimin e kërkesës së paditësit. Ai i bashkëngjiti letrës së tij një deklaratë të hollësishme të prokurorit që kishte marrë (në korrik 2004) vendimin për të mos e ndjekur penalisht togerin A. Sipas prokurorit në fjalë, duhej pranuar se togeri A. kishte qëlluar mbi automjetin, por nuk mund të vërtetohej se e kishte shkaktuar ai vdekjen e Z. Azhar Sabah Jaloud; përveç kësaj, edhe sikur të kishte qenë ashtu, togeri A. mund të kishte menduar me plot arsye se po e sulmonin e se duhej të mbrohej. Letra e prokurorit përmbante gjithashtu pasazhin e mëposhtëm:
“Përgjegjësitë specifike të Shteteve të Bashkuara e të Mbretërisë së Bashkuar, fuqi pushtuese, janë njohur mbi bazën e Rezolutës nr. 1483 të Këshillit të Sigurimit të Komeve të Bashkuara. Por, ndryshe nga forcat britanike, Vendet e Ulëta nuk duhej të konsideroheshin si një fuqi pushtuese në Irak: për Vendet e Ulëta, SFIR-ja përbënte një operacion paqeruajtës (vredesoperatie). Qeveria ishte e mendimit se misioni i forcave të armatosura holandeze duhej të kufizohej vetëm me një mbështetje për britanikët në sektorin e jugut të Irakut që u ishte besuar atyre (Dhoma e Ulët e Parlamentit, 2002-23, nr. 23432, nr. 16). Përdorimi i një force operative nga SFIR-ja e gjen legjitimitetin e vet jo te jus in bello, por te mandati i Këshillit të Sigurimit, te Rregullat e Angazhimit në Luftim (ROE) të bazuara mbi mandatin e lartpërmendur, dhe te karta holandeze e udhëzimit rreth përdorimit të forcës, e cila rrjedh nga këto instrumente. ROE-të e mundësojnë përdorimin e forcës ndaj çdolloj personi që i nënshtrohet rregullit përkatës. Në disa raste, mund të bëhet pra fjalë edhe për civilë. Po ashtu ndodh – siç e pasqyron udhëzimi për përdorimin e forcës – edhe me të drejtën themelore për vetëmbrojtje. Udhëzimet dhe objektivat e komandantit, të bashkuara me kanosjen e perceptuar, janë vendimtarë për të përcaktuar nëse një ushtarak do të përdorë kompetencën për të vënë në përdorim forcën dhe, në rast nevoje, në cilën mënyrë.”
45. Për mendimin kryeprokurorit, nuk ishte e mundur as të dilej në përfundimin se kishte pasur shkelje të nenit 2 të Konventës në anën e tij procedurale. Sipas tij, në fakt, trupat holandeze të pranishme në Irak nuk ushtronin ndonjë autoritet efektiv në atë vend dhe nuk kushtëzoheshin pra nga Konventa.
46. Më 1 shkurt 2008, avokati i përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Arnhemit paraqiti një opinion me shkrim ku shprehte mendimin e ndërmjetëm se vendimi për të mos nisur ndjekje penale nuk kishte të qortuar. Sipas tij, një ushtarak holandez mbetej i nënshtruar ndaj juridiksionit penal holandez, kudo që të ndodhej nëpër botë. Megjithatë, Rezoluta 1483 e KSKB-së vinte në dukje se shtetet bashkëpunuese nuk kishin statusin e fuqive pushtuese, dhe konflikti i armatosur kishte përfunduar në datën e vdekjes së Z. Azhar Sabah Jaloud. Përveç kësaj, edhe sikur të pranohej që në atë kohë në Irak kishte një konflikt, duke pasur parasysh rrethanat e incidentit – që sipas avokatit të përgjithshëm nuk kishin të bënin fare me vetë konfliktin – nuk ishte e mundur që togeri A. të ndiqej penalisht në zbatim të legjislacionit lidhur me krimet e luftës. Avokati i përgjithshëm dilte në përfundim duke thënë se e drejta penale e zakonshme i jepte mundësi togerit A. t’i referohej vetëmbrojtjes, por se, pavarësisht mungesës së dënimit, shteti holandez ndodhej ndoshta në një situatë ku do të ishte e udhës që të paguhej një dëmshpërblim falas.
47. Më 18 mars 2008, Gjykata e Apelit mbajti një seancë. Znja Zegveld, përfaqësuesja e paditësit, kërkoi disa masa hetimore, konkretisht shtimin në dosje të kopjeve – e të përkthimeve, në rast nevoje – të Rregullave të Angazhimit në Luftim e të udhëzimeve përkatëse të bazuara mbi to, të raportit irakian të autopsisë dhe të deponimit të dhënë nga Z. Dawoud Joad Kathim për policinë irakiane. Ajo kërkoi gjithashtu të pyetej Z. Madjied, interpreti irakian, lidhur me pretendimet e Z. Dawoud Joad Kathim se vetë interpreti i kishte thënë që të mos fliste për përzierjen e ushtarakëve holandezë. Nga ana tjetër, Znja Zegveld e vuri sërish në pikëpyetje konkluzionin se disa të shtëna ishin kryer nga pjesëtarë të efektivit irakian dhe mbrojti mendimin se veprimet e togerit A. e kishin kapërcyer vetëmbrojtjen.
48. Gjykata e Apelit e dha vendimin e saj më 7 prill 2008. Ajo e mënjanoi kërkesën që synonte marrjen e masave të reja hetimore, me mendimin se këto të fundit nuk do të shërbenin për asgjë duke pasur parasysh periudhën që kishte kaluar që nga koha e ngjarjeve objekt konflikti, dhe ajo nuk pranoi që të urdhëronte nisjen e ndjekjes penale ndaj togerit A. Në arsyetimet e saj, ajo deklaroi konkretisht sa vijon:
“Legjitimimi i përdorimit funksional të forcës në zonën në fjalë gjendet te Rregullat e Angazhimit në Luftim (ROE) dhe te udhëzimet e SFIR-së rreth përdorimit të forcës (versioni i rishikuar i datës 24 korrik 2003), të cilët frymëzohen prej dokumentit të parë. Avokati [i paditësit] i është lutur Gjykatës së Apelit, me dyer të mbyllura, që të mundësojë leximin e ROE-ve. Këto të fundit gjithsesi nuk janë përfshirë në dosje, dhe as Gjykata e Apelit, as avokati i përgjithshëm nuk i disponojnë. Si kriter analize në këtë çështje do të shërbejnë udhëzimet e SFIR-së rreth përdorimit të forcës. Ato vënë në dukje se përdorimi i forcës lejohet sidomos në kuadrin e vetëmbrojtjes dhe kur bëhet fjalë për të mbrojtur bashkëluftëtarët ose persona të tjerë të përcaktuar nga komandanti i DMN (S-E)-së. Për sa u përket qitjeve me shënjim, udhëzimet saktësojnë se ato lejohen kur [vetë një pjesëtar i SFIR-së], bashkëluftëtarët e tij ose personat nën mbrojtjen e tij kërcënohen nga një veprim i dhunshëm që mund të shkaktojë plagë të rënda ose vdekjen, dhe kur nuk ka mjet tjetër për ta penguar këtë. Mes shembujve të dhënë përfshihen situata ku një person shtie ose e kthen armën e tij në drejtimin e personit në fjalë, të bashkëluftëtarëve të tij ose të personave nën mbrojtjen e tij, dhe ajo ku një person e drejton me qëllim në automjet mbi personin në fjalë, bashkëluftëtarët e tij ose personat nën mbrojtjen e tij.
Nga dosja del se [togeri A.], i cili po kërkonte gjurmë të një incidenti të ndodhur pak më parë dhe gjatë të cilit ishin kryer disa të shtëna me armë zjarri nga një automjet, është gjendur aty për aty përballë një automjeti që nuk e kishte respektuar VCP-në e që po vërsulej në drejtim të tij. Në atë çast, janë kryer disa të shtëna me armë zjarri. [Togeri A.] ka besuar se ato vinin nga automjeti. Ky supozim është plotësisht i kuptueshëm, sepse asgjë nuk mund t’i linte [togerit A.] vend për të menduar se të shtënat ishin kryer në drejtimin e tij nga vetë njësia e tij ose nga njësi mike (ushtarakët holandezë ose pjesëtarët e CIDC-së që ishin të pranishëm). Pak rëndësi ka, sipas avokatit [të paditësit], që të tjerë persona të pranishëm në terren ta kenë vlerësuar ndryshe situatën. Në fund të fundit, [togeri A.] ndodhej në një tjetër vend dhe ai nuk e ka vëzhguar situatën në të njëjtën mënyrë si grupi që gjendej në anën tjetër të xhadesë e që për më tepër ka përdorur një intensifikator pamjesh. Po ashtu, rrethana se [togeri A.] ka qëlluar në çastin kur automjeti po kalonte nuk ndryshon asgjë, përderisa pak më parë pika e kontrollit ishte vënë në shënjestër nga një automjet i cili ishte larguar pastaj dhe [togerit A.] i duhej, siç e ka treguar, të kishte parasysh se në anën tjetër të xhadesë kishte trupa mike, të cilat ai nuk donte t’i kishte në vijën e tij të shënjimit. Avokati [i paditësit] ka lënë nga ana tjetër të nënkuptohet se [togeri A.] paska mundur të bënte një qitje paralajmëruese. Sipas udhëzimeve rreth përdorimit të forcës, një qitje paralajmëruese duhet të kryhet vetëm nëse këtë e lejojnë rrethanat e operacionit dhe ajo nuk ka sesi të bëhet kur, për shembull, personi në fjalë ose persona të tjerë ngjitur me të bëhen objekt i një sulmi të armatosur.
Në dritën e kësaj çka paraprin, Gjykata e Apelit është e mendimit se [togeri A.] mund të besonte me plot arsye se ai vetë dhe bashkëluftëtarët e tij ishin vënë në shënjestër dhe se, duke u nisur nga ky supozim, ai ka vepruar brenda caqeve të udhëzimeve të zbatueshme rreth përdorimit të forcës.
Për këtë arsye, Gjykata e Apelit del në përfundimin se vendimi i prokurorit për të mos nisur ndjekje penale ishte i përligjur.”
B. Armët e përdorura gjatë ngjarjeve objekt konflikti
1. Diemaco C7A1
49. Pushka e këmbësorisë Diemaco C7A1 është arma me të cilën furnizohet zakonisht ushtria holandeze. Ky prodhim kanadez është një version i përmirësuar i armës Armalite AR‑15/Colt M16, një pushkë më e njohur me konceptim amerikan. Ajo mund të kryejë qitje në mënyrë automatike dhe në mënyrë gjysmë-automatike. Karikatorët me të cilët furnizohen zakonisht forcat e armatosura holandeze mund të mbajnë deri në tridhjetë fishekë. Në mënyrën automatike, kjo armë kryen 700 deri 940 qitje në minutë.
50. Ashtu si AR-15/M16, Diemaco përdor fishekë të kalibrit 5,56 x 45 mm (ose 5,56 NATO). Plumbi rrotullohet rreth boshtit të vet dhe copëzohet shpeshherë kur depërton me shpejtësi të madhe në një trup, duke u shkaktuar indeve dëmtime të rënda.
2. Kallashnikovi AK-47
51. Në zanafillë, Kallashnikovi AK-47 ishte një konceptim e prodhim sovjetik, por disa kopje janë prodhuar në shumë vende. Dikur armë kryesore e këmbësorisë së Traktatit të Varshavës, kjo pushkë – si edhe kopjet e saj – u jepet sot ushtrive të vendeve të shumta, duke përfshirë edhe forcat vendëse në Irak.
52. Ashtu si vetë arma, municionet e përdorura nga AK-47 (fishekë të kalibrit 7,62 x 39 mm) prodhohen në sasi të mëdha nga prodhues të shumtë. Plumbi standard zotëron një fuqi të madhe depërtuese; mirëpo, kur e godet një trup pa e përshkuar tamam, edhe ai mund të rrotullohet rreth boshtit të vet e të copëzohet, duke shkaktuar pak a shumë të njëjtat pasoja si plumbi 5,56 mm NATO.
C. Prania ushtarake e Vendeve të Ulëta në Irak
1. Konteksti i përgjithshëm
53. Nga korriku 2003 deri në mars 2005, disa trupa holandeze morën pjesë, me batalione, në Forcën e Stabilizimit në Irak (SFIR). Të stacionuara në provincën Al-Muthanna, ato bënin pjesë në Divizionin Shumëkombësh të Juglindjes (DMN-SE), të vendosur nën komandën e një oficeri të forcave të armatosura britanike.
54. Pjesëmarrja e forcave holandeze në DMN-SE përcaktohej nga një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, i cili kishte në aneks Rregullat e Angazhimit në Luftim. Këto dy dokumente ishin dhe mbeten të klasifikuara si “sekret”.
55. Pjesëtarëve të personelit ushtarak holandez u dorëzohej një përkujtesë e hartuar nga Shefi i Shtabit të Mbrojtjes (Chef Defensiestaf) holandez. Bëhej fjalë për një dokument reference i cili përmbante një përmbledhje të Rregullave të Angazhimit në Luftim. Personelit i jepeshin gjithashtu disa udhëzime rreth përdorimit të forcës (Geweldsinstructie), edhe ato të hartuara nga Shefi i Shtabit të Mbrojtjes.
56. Për informacione të përgjithshme rreth pushtimit të Irakut nga 1 maji 2003 deri më 28 qershor 2004, shih Al-Skeini me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar ([DhM], nr. 55721/07, §§ 9-19, GjEDNj 2011).
2. Letra drejtuar Dhomës së Ulët të Parlamentit
57. Më 6 qershor 2003, ministri i Punëve të Jashtme (Minister van Buitenlandse Zaken) dhe ministri i Mbrojtjes (Minister van Defensie) i drejtuan bashkërisht një letër Dhomës së Ulët të Parlamentit (Tweede Kamer der Staten-Generaal) rreth situatës në Lindjen e Mesme (Dhoma e Ulët e Parlamentit, viti parlamentar 2002-2003, nr. 23 432, nr. 116). Kjo letër parashtronte në veçanti arsyet për të cilat Qeveria kishte vendosur të merrte pjesë në SFIR duke dërguar forca holandeze dhe duke dhënë informacione të përgjithshme. Ajo përmbante pasazhet e mëposhtme:
“Siç e kanë kërkuar britanikët, njësitë holandeze do të vendosen në pjesën jugore të Irakut, në provincën Al-Muthanna (...) Kjo provincë është vënë nën përgjegjësinë e një divizioni britanik. Zinxhiri komandues operativ kalon pra nëpërmjet shtatmadhorisë së divizionit britanik pastaj nëpërmjet shtatmadhorisë amerikane në Bagdad dhe ngjitet deri në Komandën Qendrore amerikane [American Central Command] (CENTCOM), e cila koordinon drejtimin ushtarak.
(...)
Mandati/baza ligjore
Dërgimi i trupave holandeze në Irak ka si bazë Rezolutën 1483 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Qeveria çmon se dispozitat e kësaj rezolute e japin një bazë të tillë. Rezoluta mbështetet shprehimisht te Kapitulli VII i Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe paragrafi i parë i saj u bën thirrje shteteve anëtare dhe organizatave “për ta ndihmuar popullin irakian në përpjekjet që ai bën për t’i reformuar institucionet e tij e për ta rindërtuar vendin dhe [për] të dhënë ndihmesë në sigurimin e stabilitetit dhe të sigurisë në Irak në përputhje me (...) Rezolutën». Më në përgjithësi, paragrafi i parafundit i dispozitivit të Rezolutës 1483 u kërkon shteteve anëtare dhe organizatave ndërkombëtare e rajonale “të ndihmojnë në zbatimin e (...) Rezolutës”. Përmbledhja e seancës së Këshillit të Sigurimit gjatë së cilës është miratuar kjo rezolutë tregon ekzistencën e një konsensusi të gjerë rreth postulatit se Rezoluta u jep shteteve anëtare një bazë për dërgimin e trupave në Irak, brenda kornizës së vendosur prej saj.
Në hyrjen e saj, Rezoluta vë në dukje në mënyrë të qartë se duhet të bëhet dallimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Mbretërisë së Bashkuar, të cilat aktivizohen në Irak në cilësinë (hoedanigheid) e fuqive pushtuese, dhe shteteve që nuk e kanë këtë cilësi. Ky konstatim i Këshillit të Sigurimit, i formuluar në një rezolutë të miratuar në bazë të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duhet të merret si një mendim i besueshëm për sa i përket statusit të shteteve pjesëmarrëse dhe që u imponohet shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Paragrafi 5 i Rezolutës u kërkon shprehimisht të gjitha shteteve në fjalë (duke përfshirë edhe ato që nuk janë të pranishme si fuqi pushtuese) që “t’i përmbushin plotësisht detyrimet e tyre në vështrim të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të Konventave të Gjenevës të vitit 1949 dhe të Rregullores së Hagës të vitit 1907”). Vendet e Ulëta kanë ndër mend t’i përgjigjen kësaj thirrjeje.
(...)
Ndikimi
Forca e Stabilizimit do të jetë një koalicion vendesh pjesëmarrëse i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. Ka rëndësi që vendet e tjera që japin kontingjente të përfshihen në mënyrë të mjaftueshme në përcaktimin e strategjisë së përgjithshme politiko-ushtarake të forcës së sigurisë dhe në shkëmbimin e informacioneve. Për këtë, Mbretëria e Bashkuar do të krijojë një “komitet pjesëmarrësish” për sektorin britanik, gjë që do të mundësojë një bashkërendim të ngushtë ndërmjet përfaqësuesve të qeverive, të ngjashëm me procedurën që britanikët kanë përpunuar për FIAS-në [Forcën Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë, të rreshtuar në Afganistan) e që Vendet e Ulëta dhe Gjermania e ndjekin edhe sot e kësaj dite për FIAS-në. Vendet që japin kontingjente do të marrin pjesë po ashtu në drejtimin ushtarak nëpërmjet përfaqësuesve të tyre kombëtarë në shtabet operative.
(...)
Udhëzime për përdorimin e forcës (Rregullat e Angazhimit në Luftim)
“Rregullat e Angazhimit në Luftim” (ROE) janë udhëzime për njësitë ushtarake në të cilat parashtrohen rrethanat, kushtet, shkalla dhe mënyrat e përdorimit të lejuar të forcës. Përmbajtja e tyre nuk bëhet publike. ROE-të hartohen mbi bazë konsideratash ushtarako-operative dhe juridike. Fjala është veçanërisht për konsiderata që kanë të bëjnë me të drejtën humanitare dhe me të drejtën e luftës, si edhe për konsiderata politike/diplomatike. Ato përcaktohen duke iu referuar një dokumenti të NATO-s ku parashtrohen vijat udhëheqëse për ROE-të.
Ashtu siç është zakon në operacione të tjera paqeruajtëse, parashikohet që Vendet e Ulëta do të përqafojnë ROE-të e “shtetit udhëheqës”, në këtë rast të Mbretërisë së Bashkuar. Vendet e Ulëta mund t’u bëjnë ndryshime udhëzimeve për përdorimin e forcës duke u bazuar në vija udhëheqëse dhe konsiderata kombëtare. ROE-të nuk janë përfunduar ende, por Qeveria kërkon që ato të jenë të fuqishme, çka nënkupton veçanërisht kompetenca të gjera për “mbrojtjen e forcës” dhe krijimin e një mjedisi të sigurt e të qëndrueshëm. Mbi këtë bazë, Qeveria niset nga parimi se ROE-të do të japin një mundësi të mjaftueshme për plotësimin e detyrave edhe në rast luftimesh ose trazirash.
Struktura e komandimit
I gjithë operacioni në Irak ndodhet nën komandën e CENTCOM-it amerikan, në gjirin e të cilit një Komandë e Komponentit Tokësor të Forcave të Koalicionit [Coalition Forces Land Component Commander] (CFLCC) siguron drejtimin nga Bagdadi. Për këtë qëllim, Iraku është ndarë në katër sektorë. Sektori i pjesës veriore të Irakut dhe ai i zonës përreth Bagdadit do të drejtohen nga Shtetet e Bashkuara. Polonia është përgjegjëse për një sektor tjetër, kurse Mbretëria e Bashkuar është përgjegjëse për pjesën jugore të Irakut. Batalioni holandez do të jetë nën kontrollin operativ të divizionit britanik si një njësi e pavarur (zelfstandige eenheid). Në kuadrin e mbështetjes së NATO-s për Poloninë, është vendosur që një pjesë e efektivave holandezë do të jenë të bazuar në shtatmadhorinë polake. Për më tepër, sektori polak është ngjitur me sektorin amerikan dhe prania e efektivave holandezë e favorizon një koordinim te përgjithshëm më të mirë.
Veç kësaj (Overigens), Vendet e Ulëta do ta ruajnë kurdoherë “komandën e plotë” [“full command” në origjinalin në anglisht] mbi efektivat ushtarake holandeze. Shefi i Shtabit të Mbrojtjes do të kujdeset për respektimin e mandatit dhe të objektivit ushtarak të trupave holandeze. Po të jetë nevoja, ai do të japë direktiva të reja në emër të ministrit të Mbrojtjes.”
3. Prania e Xhandarmërisë Mbretërore në Irak
58. Në Irak ishte e pranishme një njësi e Xhandarmërisë Mbretërore, e cila i ishte bashkëngjitur forcave holandeze. Paditësi pohon se ajo qëndronte në të njëjtat kazerma me trupat e rregullta.
D. Udhëzimet për personelin holandez të SFIR-së
59. Qeveria e paditur ka paraqitur versionet e datës 24 korrik 2003 të përkujtesës për komandantët e SFIR-së dhe të kartës së ushtarakut të SFIR-së; ato përkojnë me dokumentet që i janë dorëzuar personelit holandez. Pjesët që janë me rëndësi për këtë çështje lexohen kështu (përkthime të Sekretarisë së Gjykatës; shprehjet në gjuhën angleze të përdorura në origjinalin holandisht janë riprodhuar me kursiv):
1. Përkujtesë për komandantët e SFIR-së
“Ky shënim udhëzues përsërit në mënyrë të thjeshtuar, për oficerët e nënoficerët, Rregullat e Angazhimit në Luftim (ROE) për DMN (S-E)-në dhe kufizimet që u janë bërë atyre nga Vendet e Ulëta. Në rast dyshimi, referojuni tekstit të ROE-ve në anglisht dhe deklaratave përkatëse të Vendeve të Ulëta. Në rast mospajtimi midis këtij shënimi dhe ROE-ve ose deklaratave holandeze, epërsi do të kenë ROE-të dhe deklaratat holandeze.
MISIONI
1. Misioni juaj është që të jepni ndihmesë në krijimin e një mjedisi të sigurt e të qëndrueshëm në Irak, në mënyrë që të bëhet i mundur rindërtimi i vendit dhe kalimi drejt një regjimi të pavarur e përfaqësues. Përdorimi i forcës rreptësisht të domosdoshme lejohet sipas mënyrave të parashtruara këtu më poshtë.
RREGULLA TË PËRGJITHSHËM
2. Përdorimi i forcës lejohet vetëm në qoftë se mjetet e tjera nuk mjaftojnë. Mbajeni shënim këtë që vijon:
a) mos përdorni në asnjë rrethanë një forcë më të madhe sesa ajo që është rreptësisht e domosdoshme për plotësimin e detyrës suaj;
b) dëmtimet anësore (ndaj personave ose ndaj pasurive) duhet të shmangen me aq sa të jetë e mundur.
VETËMBROJTJA
3. Përdorimi i forcës rreptësisht të domosdoshme, edhe kur ajo rrezikon të shkaktojë vdekjen ose plagë të rënda (deadly force) dhe nënkupton përdorimin e armëve të autorizuara, lejohet:
a) për të siguruar vetëmbrojtjen tuaj;
b) për të penguar vjedhjen ose shkatërrimin e pasurive që i përkasin SFIR-së dhe që janë thelbësore për kryerjen e misionit.
PËRDORIMI I FORCËS PËR ARSYE TË TJERA
4. Pavarësisht nga e drejta për vetëmbrojtje, përdorimi i forcës rreptësisht të domosdoshme, edhe kur ajo rrezikon të shkaktojë vdekjen ose plagë të rënda (deadly force) e nënkupton përdorimin e armëve të autorizuara, lejohet:
a) për të mbrojtur bashkëluftëtarët tuaj ose çdolloj personash të tjerë të përcaktuar (designated persons) nga komandanti i DMN (S-E)-së;
b) për të penguar vjedhjen ose shkatërrimin e pasurive të përcaktuara (designated property) nga komandanti i DMN (S-E)-së;
c) për të penguar futjen pa leje në instalime ushtarake që i përkasin SFIR-së ose në vende të tjera të përcaktuara nga komandanti i DMN (S-E)-së (duke përfshirë pasuritë e përcaktuara (designated property), për shembull zonat ushtarake ku kufizohet hyrja (Military Restricted Areas) ;
d) për të kapur, kontrolluar ose çarmatosur njësi armike që mund të kërcënojnë sigurinë e njësive të SFIR-së ose persona të tjerë të përcaktuar nga komandanti i DMN (S-E)-së në kryerjen e misionit;
e) kundër çdo veprimi armiqësor ose çdo qëllimi armiqësor;
f) në qoftë se e urdhëron komandanti juaj në terren.
(...)
PROCEDURA PARALAJMËRUESE
6. Në qoftë se e lejojnë rrethanat e operacionit, duhet të paralajmëroni që do të hapni zjarr. Lejohet, për shembull, të hapet zjarr pa paralajmërim në situatat e mëposhtme:
a) në qoftë se ju ose persona të tjerë ngjitur me ju bëheni objekt i një sulmi të armatosur; ose
b) në qoftë se dhënia e një paralajmërimi do t’ju ekspozonte ju vetë, ose do të ekspozonte persona të tjerë, ndaj një rreziku të shtuar për t’u vrarë ose për t’u plagosur rëndë.
7. Ju do të jepni paralajmërim duke thirrur:
“FORCA E STABILIZIMIT! NDAL SE TË QËLLOVA!”
pastaj, në gjuhën vendëse,
“OEGAF DFEE-SJ! AU-OE ILLA ARMIE BILL NAAR!”[2]
(“Ushtria! Ndal se të qëllova!”)
8. Në rast se paralajmërimi nuk bën efekt, ju mund të kryeni një qitje paralajmëruese në qoftë se këtë e urdhëron komandanti në terren ose në zbatim të udhëzimeve të përhershme.
VEPRIMI ARMIQËSOR DHE QËLLIMI ARMIQËSOR
9. Veprim armiqësor (hostile act) është një veprim agresioni i barasvlershëm me një sulm ose kanosje për sulm me përdorim të një force që mund të shkaktojë vdekjen ose plagë të rënda et që drejtohet kundër bashkëluftëtarëve tuaj, personave të përcaktuar ose pasurive të përcaktuara. Ja disa shembuj, jo kufizues, veprimesh armiqësore:
a) një person që shtie kundër jush, kundër bashkëluftëtarëve tuaj, kundër personave të përcaktuar ose pasurive të përcaktuara;
b) një person që vendos lëndë shpërthyese ose mjete zjarrvënëse apo i hedh ato në drejtimin tuaj, të bashkëluftëtarëve tuaj, të personave të përcaktuar ose të pasurive të përcaktuara;
c) një person që drejton qëllimisht një automjet në drejtimin tuaj, të bashkëluftëtarëve tuaj, të personave të përcaktuar ose të pasurive të përcaktuara.
(...)
DETYRIMI PËR TË PËRDORUR VETËM NJË FORCË RREPTËSISHT TË DOMOSDOSHME
11. Kur lejohet të përdoret forca, jeni të detyruar që ta kufizoni atë vetëm tek aq sa është rreptësisht e domosdoshme. Merrni të gjitha masat e mundshme për të shmangur përshkallëzimin e për t’i kufizuar sa të jetë e mundur dëmet anësore. Ndalohet që të sulmohen vetë civilët, përveçse në rast vetëmbrojtjeje. Ndalohet që të sulmohen pasuritë me karakter rreptësisht civil ose fetar, përveçse kur ato përdoren për qëllime ushtarake..
12. Në qoftë se ju duhet të hapni zjarr, duhet:
a) të kryeni vetëm qitje me shënjim;
b) të shmangni kryerjen e më shumë të shtënave sesa është e domosdoshme;
c) të merrni të gjitha masat e nevojshme për të shmangur dëmet anësore (ndaj personave dhe ndaj pasurive); dhe
d) ta pushoni zjarrin sapo këtë ta lejojë situata. Atëherë duhet të siguroni sektorin dhe të kujdeseni për të plagosurit.
UDHËZIME TË TJERA KOMANDIMI
(...)
18. Parandaloni, dhe sinjalizojani eprorëve, çdo dyshim për shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare.”
(...)
2. Karta e ushtarakut të SFIR-së
“MISIONI
1. Misioni juaj është që të jepni ndihmesë në krijimin e një mjedisi të sigurt e të qëndrueshëm në Irak, në mënyrë që të bëni të mundur rindërtimin e vendit dhe kalimin drejt një regjimi të pavarur e përfaqësues.
PËRDORIMI I FORCËS
2. Përdorimi i forcës lejohet në rastet e mëposhtme:
a) në gjendje vetëmbrojtjeje;
b) për të mbrojtur bashkëluftëtarët tuaj ose të gjithë personat e tjerë të përcaktuar nga komandanti i DMN (S-E)-së;
c) për të penguar vjedhjen ose shkatërrimin e pasurive që i përkasin SFIR-së e që janë thelbësore për kryerjen e misionit, ose të pasurive të tjera të përcaktuara nga komanda e DMN (S-E)-së;
d) për të penguar hyrjen pa leje në instalimet ushtarake që i përkasin SFIR-së ose në vende të tjera të përcaktuara nga komandanti i DMN (S-E)-së (duke përfshirë pasuritë e përcaktuara), për shembull zonat ushtarake ku kufizohet hyrja (Military Restricted Areas);
e) për të kapur, kontrolluar ose çarmatosur njësi armike që mund të kërcënojnë sigurinë e njësive të SFIR-së ose persona të tjerë të përcaktuar nga komandanti i DMN (S-E)-së në kryerjen e misionit;
f) në qoftë se këtë e urdhëron komandanti juaj në terren.
RREGULLA TË PËRGJITHSHËM
3. Përdorimi i forcës lejohet vetëm në qoftë se nuk mjaftojnë mjetet e tjera. Mbajeni shënim sa vijon:
a) përpiquni të shmangni përshkallëzimin;
b) mos përdorni në asnjë rast një forcë më të madhe sesa ajo që është rreptësisht e domosdoshme për përmbushjen e detyrës suaj;
c) dëmet anësore (ndaj personave dhe ndaj pasurive) duhet të shmangen sa të jetë e mundur.
4. Cilido që ju sulmon, ju ose persona të tjerë, ose që hyn pa leje, me anë të forcës ose jo, në një instalim ushtarak të SFIR-së ose në vende të tjera të përcaktuara nga komandanti i DMN (S-E)-së mund të arrestohet e të kontrollohet me qëllim të armatosjes së tij deri sa të vërtetohet se ai nuk disponon më armë që i japin mundësi të vrasë ose të plagosë, ju vetë ose dikë tjetër. Ju mund të sekuestroni e, po qe e nevojshme, të neutralizoni – për një përdorim të menjëhershëm – çdo objekt të rrezikshëm që vë në rrezik persona, pasuri ose kryerjen e misionit.
5. Sapo ta lejojë kryerja e misionit, çdo person i arrestuar duhet t’u dorëzohet autoriteteve kompetente të Irakut ose të forcave pushtuese (Mbretërisë së Bashkuar).
6. Trajtojeni këdo me njerëzi.
7. Mblidhini të plagosurit dhe kujdesuni për ta, cilido qoftë kampi i tyre.
8. Mos grumbulloni “trofe lufte”.
9. Mos i lejoni shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe njoftoni komandantin tuaj për çdo shkelje ose çdo dyshim për shkelje.
10. Njoftojeni komandantin tuaj për çdo përdorim force.
PARALAJMËRIMI DHE QITJA PARALAJMËRUESE
11. Në qoftë se e lejon situata, duhet të bëni një paralajmërim përpara se të kryeni qitje me shënjim. Duhet t’i paralajmëroni [personat e interesuar] që, në qoftë se nuk ndalen ose në qoftë se nuk i japin fund veprimit të rrezikshëm, ju do të hapni zjarr.
Ju do të jepni paralajmërim duke thirrur:
“FORCA E STABILIZIMIT! NDAL SE TË QËLLOVA!”
pastaj, në gjuhën vendëse,
“OEGAF DFEE-SJ! AU-OE ILLA ARMIE BILL NAAR!”
(“Ushtria! Ndal se të qëllova!”)
12. Në rast se paralajmërimi nuk bën efekt, ju mund të kryeni një qitje paralajmëruese në qoftë se këtë e urdhëron komandanti në terren ose në zbatim të urdhrave që keni marrë.
QITJET ME SHËNJIM
13. Ju mund të hapni zjarr duke kryer qitje me shënjim në qoftë se ju vetë, bashkëluftëtarët tuaj ose personat që keni nën mbrojtjen tuaj kërcënohen nga veprime të dhunshme që mund të shkaktojnë plagë të rënda ose vdekjen dhe në qoftë se nuk ka mjet tjetër për t’i penguar ato.
Ja disa shembuj:
– ju mund të shtini mbi një person që shtie ose e kthen armën në drejtimin tuaj ose në atë të bashkëluftëtarëve tuaj ose të personave që keni nën mbrojtjen tuaj;
– ju mund të shtini mbi një person që vendos lëndë shpërthyese ose mjete zjarrvënëse ose i hedh ato apo përgatitet që t’i hedhë mbi ju, bashkëluftëtarët tuaj ose personat që keni nën mbrojtjen tuaj;
– ju mund të shtini mbi një person që e drejton me qëllim një automjet drejt jush, bashkëluftëtarëve tuaj ose personave që keni nën mbrojtjen tuaj.
FORCA MINIMALE
14. Në qoftë se ju duhet të hapni zjarr, duhet:
– të kryeni vetëm qitje me shënjim;
– të shmangni kryerjen e më shumë qitjeve sesa është e domosdoshme; dhe
– ta pushoni zjarrin sapo ta lejojë situata.
15. Ndalohet përdorimi i qëllimshëm i forcës kundër civilëve, përveçse në rast nevoje për vetëmbrojtje.
16. Ndalohet të sulmohen pasuritë me karakter rreptësisht civil ose fetar, përveçse:
a) në qoftë se përdoren për qëllime ushtarake; dhe
b) në qoftë se këtë jua urdhëron komandanti juaj.
17. Ndalohet simulimi i një sulmi ose i veprimeve të tjera agresive.
18. Ndalohet përdorimi i gazit lotsjellës.”
E. Xhandarmëria Mbretërore
60. Xhandarmëria Mbretërore është një armë e ushtrisë e cila radhitet në të njëjtin nivel me Marinën Mbretërore (Koninklijke Marine), Armatën Tokësore Mbretërore (Koninklijke Landmacht) dhe Armatën Ajrore Mbretërore (Koninklijke Luchtmacht). Pjesëtarët e saj kanë status dhe gradë ushtarake. Ajo ka zinxhirin e vet komandues; komandanti i saj mban gradën e gjenerallejtënantit (luitenant-generaal) dhe varet drejtpërdrejt nga ministri i Mbrojtjes.
61. Funksionet e Xhandarmërisë Mbretërore, për aq sa ato janë rëndësore për këtë çështje, janë veçanërisht që “të përmbushë detyra policore për Vendet e Ulëta dhe forca të tjera të armatosura, si edhe për shtabet ushtarake ndërkombëtare dhe personat që u përkasin këtyre forcave të armatosura e këtyre shtabeve” (neni 6 § 1 b) i Ligjit të vitit 1993 për policinë – Politiewet 1993).
62. Pjesëtarët e Xhandarmërisë Mbretërore ndjekin një stërvitje njëkohësisht ushtarake dhe policore. Nënoficerët që zotërojnë gradën rreshter (wachtmeester) ose një gradë më të lartë mund të emërohen agjentë të veshur me kompetenca hetimi (opsporingsambtenaren); oficerët e disa kategorive mund të emërohen zëvendësprokurorë (hulpofficieren van justitie).
63. Si policë ushtarakë ose hetues policie ushtarake, pjesëtarët e Xhandarmërisë Mbretërore janë në vartësi të prokurorit pranë Gjykatës së Qarkut të Arnhemit.
F. Dhoma Ushtarake e Gjykatës së Apelit të Arnhemit
64. Në kohën e ngjarjeve, neni 9 i Kodit të Procedurës Penale Ushtarake (Wet militaire strafrechtspraak) përcaktonte se seksionet e Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit përbëheshin nga dy gjyqtarë të Gjykatës së Apelit – njëri prej të cilëve kryesonte – dhe një anëtar ushtarak. Ky i fundit ishte ushtarak aktiv i cili kishte gradën kapiten i rangut të parë (kapitein ter zee, Marina Mbretërore), kolonel (kolonel, Armata Tokësore Mbretërore), kolonel aviacioni (kolonel, Armata Ajrore Mbretërore) ose një gradë më të lartë, dhe i cili kishte për më tepër kualifikimet e duhura për të qenë magjistrat; atij i jepej grada honorifike e kundëradmiralit (commandeur, Marina Mbretërore), e gjeneralit të brigadës (brigadegeneraal, Armata Tokësore Mbretërore) ose e gjeneralit të brigadës ajrore (commodore, Armata Ajrore Mbretërore) në qoftë se nuk e zotëronte tashmë efektivisht këtë gradë. Ai nuk mund t’i përkiste Xhandarmërisë Mbretërore. Ai emërohej për një mandat katërvjeçar, të ripërtëritshëm vetëm një herë për të njëjtën periudhë kohore; dalja e detyrueshme në pension ishte e caktuar në moshën gjashtëdhjetë vjeç (neni 6 § 4 i Kodit të Procedurës Penale Ushtarake).
65. Neni 68 § 2 i Ligjit për organizimin gjyqësor (Wet op de rechterlijke organisatie) përcakton se pjesëtarët ushtarakë të dhomës ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit shqyrtojnë çështje si gjyqtarë të barabartë me kolegët e tyre civilë dhe i nënshtrohen të njëjtës detyrë për ruajtje fshehtësie (nenet 7 dhe 13 të Ligjit) si edhe të njëjtëve rregulla për pavarësi funksionale e paanësi (neni 12); ata i nënshtrohen nga ana tjetër të njëjtit kontroll si edhe gjyqtarët civilë për mënyrën se si sillen në ushtrimin e funksioneve të tyre (neni 13 a) deri në g)). Ky kontroll, që ka të bëjë me aspekte të përcaktuara mirë të sjelljes së tyre, kryhet nga Gjykata e Kasacionit (Hoge Raad) e të kërkuara – me kërkesën e një pale të interesuar ose kryesisht – nga Prokurori i Përgjithshëm (procureur-generaal) pranë Gjykatës së Kasacionit.
G. E drejta e brendshme dhe procedura e brendshme përkatëse
66. Dispozitat e mëposhtme të së drejtës së brendshme janë me rëndësi për çështjen në fjalë.
1. Kushtetuta e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta
Neni 97
“1. Mbretëria e Vendeve të Ulëta ka forca të armatosura për mbrojtjen dhe ruajtjen e interesave të saj, si edhe për ruajtjen e zhvillimin e rendit juridik ndërkombëtar.
2. Forcat e armatosura vihen nën autoritetin suprem të qeverisë.”
2. Kodi Penal (Wetboek van Strafrecht)
Neni 41
“1. Një person që kryen një veprim të nevojshëm për mbrojtjen e tërësisë së tij fizike [lijf] ose të asaj të tjetërkujt, të tërësisë së tij gjinore [eerbaarheid] ose të asaj të tjetërkujt, të pasurive të tij ose të atyre të tjetërkujt kundër një sulmi të paligjshëm të atypëratyshëm nuk ndëshkohet me kurrfarë dënimi për këtë veprim.
2. Një person që i tejkalon caqet e mbrojtjes së domosdoshme nuk ndëshkohet me kurrfarë dënimi në qoftë se veprimi i tij vjen si rezultat i një emocioni të fortë që është pasoja e atypëratyshme e një sulmi.”
Neni 42
“Një person që kryen një veprim të parashikuar me ligj nuk ndëshkohet me kurrfarë dënimi.”
Neni 43
“1. Një person që kryen një veprim për zbatimin e një urdhri zyrtar të dhënë nga autoriteti i veshur me kompetencën e duhur nuk ndëshkohet me kurrfarë dënimi për atë veprim.
2. Dhënia e një urdhri zyrtar në mungesë të kompetencës së nevojshme nuk jep të drejtë për të mos u ndëshkuar, përveçse në rast se personi vartës që e ka zbatuar atë ka kujtuar në mirëbesim se ky urdhër ishte dhënë nga një autoritet që vepronte në kuadër të kompetencave të tij e në rast se respektimi i këtij urdhri përfshihej në kuadrin e statusit të tij si vartës.”
3. Kodi Penal Ushtarak (Wetboek van Militair Strafrecht)
Neni 4
“E drejta penale holandeze gjen zbatim për pjesëtarët e personelit ushtarak që kryejnë një veprim të dënueshëm, cilido qoftë ai, jashtë Vendeve të Ulëta.”
Neni 38
“1. Nuk ndëshkohet me kurrfarë dënimi një person që, brenda caqeve të kompetencave të tij, kryen një veprim të lejuar nga e drejta e luftës, ose që nuk mund të sanksionohet pa pasur shkelje të një traktati në fuqi ndërmjet Vendeve të Ulëta dhe fuqisë me të cilën Vendet e Ulëta janë në luftë, ose të një rregulloreje eventuale të miratuar në bazë të një traktati të tillë.
2. Nuk ndëshkohet me kurrfarë dënimi një ushtarak që përdor forcën në kryerjen e ligjshme të detyrës së tij e në mënyrë të pajtueshme me rregullat e nxjerrë për përmbushjen e kësaj detyre.”
Neni 71
“Në kuptimin e këtij kodi, termi “luftë” përmbledh një konflikt të armatosur që nuk mund të quhet si luftë në kuptimin e mirëfilltë e në të cilin Mbretëria ka hyrë qoftë për vetëmbrojtje individuale ose kolektive, qoftë për rivendosjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare.”
Neni 135
“Shprehja “udhëzim shërbimi” [dienstvoorschrift] nënkupton një vendim me shkrim me rreze veprimi të përgjithshme të dhënë në trajtën ose mbi bazën e një mase të përgjithshme administrative për Mbretërinë ose për njërin nga vendet e Mbretërisë[3] [bij of krachtens algemene maatregel van rijksbestuur of van bestuur dan wel een bij of krachtens landsverordening onderscheidenlijk landsbesluit gegeven schriftelijk besluit van algemene strekking] e që ka të bëjë me një interes të çfarëdoshëm të funksionit ushtarak [enig militair dienstbelang] dhe përmban një urdhër ose një ndalim që i drejtohet personelit ushtarak.”
4. Ligji për procedurën penale ushtarake (Wet Militaire Strafrechtspraak)
Neni 1
“(...)
3. Kodi i Procedurës Penale zbatohet gjithmonë, me përjashtim të ndonjë dispozite të kundërt të këtij ligji.”
Neni 8
“(...)
2. Brenda Gjykatës së Apelit të Arnhemit, një seksion i përbërë nga disa gjyqtarë i quajtur “Dhomë Ushtarake” ka kompetencë ekskluzive për të shqyrtuar ankimet e paraqitura kundër vendimeve të apelueshme të dhëna nga dhomat ushtarake të Gjykatës së Qarkut të parashikuar në nenin 3 [Gjykata e Qarkut e Arnhemit]. Kjo dhomë shqyrton edhe paditë e paraqitura në bazë të nenit 12 të Kodit të Procedurës Penale.”
5. Kodi i Procedurës Penale (Wetboek van Strafvordering)
Neni 12
“1. Në rast se një veprim i dënueshëm nuk ndiqet penalisht ose në rast se hiqet dorë nga ndjekja e tij, cilido që ka një interes të drejtpërdrejtë (rechtstreeks belanghebbende) mund të paraqesë një padi me shkrim pranë Gjykatës së Apelit në juridiksionin e së cilës është marrë vendimi për të mos nisur ndjekje penale ose për ta pushuar ndjekjen.
(...)”
Neni 148
“1. Prokurori është i ngarkuar për të hetuar rreth veprave penale që janë në juridiksionin e Gjykatës së Qarkut pranë së cilës ai vepron dhe për të hetuar në juridiksionin e kësaj Gjykate Qarku rreth veprave penale që janë në juridiksionin e ndonjë gjykate tjetër qarku apo gjykatash kantoni.
2. Për këtë qëllim, ai u jep urdhra personave të tjerë të ngarkuar me [këto] hetime (...)”
H. Jurisprudenca e brendshme përkatëse
1. Çështja Eric O.
67. Më 27 dhjetor 2007, kapteri (sergeant-majoor) Eric O., pjesëtar i Korpusit të Marinsave (Korps Mariniers) i cili komandonte një njësi të ngarkuar për të shpëtuar ngarkesën e një kontejneri që ndodhej në anë të rrugës “Jackson”, bëri një qitje paralajmëruese përtokë për të larguar një grup grabitësish. Plumbi bëri rikoshet në sipërfaqen e tokës, duke plagosur për vdekje një prej grabitësve.
68. Kapteri O. u ndoq penalisht për mosbindje ndaj udhëzimeve zyrtare sepse kishte përdorur një forcë që e tejkalonte atë të lejuar nga përkujtesa dhe udhëzimet rreth përdorimit të forcës, ose, si akuzë dytësore, për vrasje nga pakujdesia.
69. Në vijim të një ankimi të prokurorisë kundër pafajësisë së dhënë në shkallë të parë, Dhoma Ushtarake e Gjykatës së Apelit të Arnhemit e la në fuqi shpalljen të pafajshëm të kapterit O. Në vendimin e tij të datës 4 maj 2005 (Landelijk Jurisprudentie Nummer [Numri i Jurisprudencës Kombëtare], “LJN” AT4988), juridiksioni i apelit doli në përfundimin se Rregullat e Angazhimit në Luftim përbënin udhëzime zyrtare pavarësisht nga natyra e tyre sekrete dhe se kapteri O. Kishte vepruar brenda caqeve të rregullave të sipërpërmendur dhe nuk kishte treguar pakujdesi.
2. Çështjet Mustafić dhe Nuhanović
70. Më 1992, Bosnjë-Hercegovina shpalli pavarësinë e saj nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Kjo shpuri në një luftë e cila vazhdoi deri në dhjetor 1995. Në bazë të Rezolutës 743 (1992) të datës 21 shkurt 1992, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara krijoi një Forcë Mbrojtëse të Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR). Midis shteteve që dërguan kontingjente ishin edhe Vendet e Ulëta që dhanë një batalion këmbësorie të transportueshme nga ajri. I njohur nën emrin “Dutchbat”, ky i fundit u rreshtua si një forcë paqeruajtëse nën komandën e Kombeve të Bashkuara brenda e përreth qytetit të Srebrenicës, në lindje të Bosnjës, i cili mbahej në atë kohë nga qeveria me shumicë boshnjake e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës.
71. Më 10 korrik 1995, ushtria e serbeve të Bosnjës e sulmoi “zonën e sigurisë” të Srebrenicës me forca me epërsi të qartë në numër. Ajo e pushtoi atë zonë dhe e vuri nën kontrollin e saj pavarësisht pranisë së batalionit Dutchbat, që në fund nuk kontrollonte më veçse një kamp në fshatin Potoçari. Gjatë ditëve që pasuan, burrat boshnjakë që kishin rënë në duart e ushtrisë së serbëve të Bosnjës i ndanë veçmas nga gratë dhe fëmijët, pastaj u vranë. Sot pranohet përgjithësisht si një fakt i vërtetuar se mbi 7 000 burra e djem boshnjakë, ndoshta edhe 8 000, u vranë nga duart e ushtrisë së serbëve të Bosnjës e të forcave paraushtarake serbe gjatë asaj që njihet tashmë me emrin si “masakra e Srebrenicës”.
72. Disa të afërm të mbijetuar të tre burrave të vrarë gjatë kësaj masakre në korrik 1995 ngritën padi civile kundër shtetit holandez pranë juridiksioneve të Vendeve të Ulëta.
73. Paditësit në çështjen e parë (Mustafić k. shtetit holandez) ishin të afërm të mbijetuar të një elektricisti i cili kishte qenë një nëpunës de facto i batalionit Dutchbat por nuk kishte përfituar nga statusi që u jepet personave të punësuar drejtpërdrejt nga Kombet e Bashkuara. Paditësit pretendonin se shteti holandez nuk i kishte përmbushur detyrimet e tij kontraktore me arsyetimin se zëvendëskomandanti i batalionit Dutchbat nuk kishte pranuar ta linte të interesuarin që të qëndronte bashkë me familjen e vet në kampin e Potoçarit, kështu që atij i ishte dashur të largohej nga kampi atë ditë, ndërkohë që, sipas tyre, komanda e batalionit Dutchbat qenka dashur ta mbronte atë duke e mbajtur brenda dhe duke e larguar andej të shoqëruar së bashku me vetë batalionin. Si kërkesë dytësore, ata pretendojnë se aty ka pasur një fajësi. Paditësi në çështjen e dytë (Nuhanović k. shtetit holandez) kishte qenë vetë nëpunës de facto i batalionit Dutchbat, për të cilin ai kishte punuar në cilësinë e interpretit, po ashtu pa e gëzuar statusin e nëpunësit të Kombeve të Bashkuara; babai dhe vëllai i tij ishin vrarë gjatë masakrës. Ai pretendonte se aty kishte pasur fajësi, duke pasur parasysh se zëvendëskomandanti i batalionit Dutchbat ua kishte mbyllur hyrjen për në kamp atyre dy burrave.
74. Më 6 shtator 2013, Gjykata e Kasacionit mori vendim rreth të dyja çështjeve (LJN BZ9225, Nuhanović, dhe LJN BZ9228, Mustafić). Në pasazhet e tyre që kanë rëndësi për këtë çështje, të dyja vendimet, pjesët thelbësore të të cilave janë identike, shprehen kështu (pjesë e zgjedhur nga vendimi Nuhanović, sipas përkthimit të Sekretarisë së Gjykatës):
“3.10.1. Në pjesën e parë të rekursit në kasacion, pretendohet se në pikat 5.7 e 5.8 të përfundimeve juridike të vendimit të saj të ndërmjetëm Gjykata e Apelit nuk e ka pranuar se një kontingjent ushtarak i OKB-së i krijuar mbi bazën e Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe i vendosur nën komandën e kontrollin e Kombeve të Bashkuara – në rastin konkret FORPRONU-ja, ku bënte pjesë batalioni Dutchbat – ishte një organ i Kombeve të Bashkuara. Kjo do të thotë se atribuimi i sjelljes së këtij kontingjenti ushtarak duhet t’i përkasë nenit 6 të PAROI-ve [projektnene të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare rreth përgjegjësisë së organizatave ndërkombëtare (Sesioni i 63-të i Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, UN Doc A/66/10, për botim në Vjetarin e Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, 2011, vëll. II, pjesa e dytë)] dhe jo nenit 7 të PAROI-ve. Sipas kësaj pjese të rekursit, zbatimi i nenit 6 të PAROI-ve nënkupton vetvetiu që sjellja e batalionit Dutchbat, si parim, u dashka t’i atribuohet gjithmonë Kombeve të Bashkuara.
3.10.2. Sipas komentarit lidhur me nenin 7 të PAROI-ve (...), ky rregull atribuimi zbatohet, në veçanti, në situatën kur një shtet vë kontingjente ushtarake në dispozicion të Kombeve të Bashkuara për një operacion paqeruajtës dhe kur komanda e kontrolli u transferohen Kombeve të Bashkuara ndërkohë që shteti nga janë shkëputur ruan kompetencat e veta disiplinore si edhe kompetencën e tij penale (“komandën organike”). Nga konkluzionet e Gjykatës së Apelit nënkuptohet se kjo situatë përputhet me atë të çështjes në fjalë. Në fund të fundit, në pikën 5.10 të konkluzioneve juridike të vendimit të ndërmjetëm, Gjykata e Apelit ka deklaruar – dhe ky aspekt nuk është vënë në pikëpyetje në rekursin në kasacion – se nuk kundërshtohej që Vendet e Ulëta, shteti dërgues i kontingjenteve, e kishin ruajtur kontrollin rreth çështjeve të personelit të efektivave ushtarake në fjalë, të cilët kishin mbetur në shërbim të Vendeve të Ulëta, dhe që ato e kishin ruajtur kompetencën për t’i sanksionuar pjesëtarët e këtyre efektivave ushtarake në bazë të së drejtës disiplinore dhe të së drejtës penale. Argumenti i përmendur në pjesën e parë të rekursit në kasacion, se Gjykata e Apelit nuk e ka zbatuar rregullin e atribuimit të nenit 6 të PAROI-ve, duke zgjedhur, pa të drejtë, që të zbatonte rregullin e atribuimit të nenit 7 të PAROI-ve, nuk është pra me vlerë.
3.11.1. Pjesa e dytë e rekursit është një varg argumentesh të drejtuara kundër konkluzioneve juridike që figurojnë në pikat 5.8 deri në 5.20 të vendimit të ndërmjetëm, në të cilat Gjykata e Apelit ka përkufizuar kriterin e kontrollit efektiv duke zbatuar në këtë çështje rregullin e atribuimit të nenit 7 të PAROI-ve.
3.11.2. Duke qenë se këto mjete rekursi bazohen ne postulatin se e drejta ndërkombëtare e përjashton që një sjellje të mundë t’i atribuohet njëkohësisht një organizate ndërkombëtare dhe një shteti, dhe se Gjykata e Apelit është nisur pra gabimisht nga ideja se kishte mundësi që si Kombet e Bashkuara ashtu edhe shteti të kishin pasur një kontroll efektiv mbi sjelljen objekt konflikti të batalionit Dutchbat, këto mjete mbështeten në një interpretim të gabuar të së drejtës. Siç është vënë në dukje këtu më sipër në pikën 3.9.4., e drejta ndërkombëtare, veçanërisht neni 7 i PAROI-ve i bashkuar me nenin 48 § 1 të PAROI-ve, nuk e përjashton atribuimin e dyfishtë të një sjelljeje të caktuar.
Për rrjedhojë, ka qenë në dorën e Gjykatës së Apelit që të mos merrte vendim rreth pikës nëse Kombet e Bashkuara ushtronin një kontroll efektiv mbi sjelljen e batalionit Dutchbat në fillimin e mbrëmjes së datës 13 korrik 1995. Edhe sikur të kishte qenë ashtu, kjo nuk do të thotë medoemos që Kombet e Bashkuara kishin një përgjegjësi ekskluzive.
3.11.3. Meqenëse në këto mjete të rekursit në kasacion mbrohet mendimi se Gjykata e Apelit ka zbatuar një kriter të gabuar duke kërkuar nëse shteti e ushtronte një kontroll efektiv mbi batalionin Dutchbat në momentin e sjelljes objekt konflikti, edhe këto mjete mbështeten në një interpretim të gabuar të së drejtës. Për të përcaktuar nëse shteti e ushtronte një kontroll efektiv, nuk është nevoja që ai të ketë vepruar në kundërshtim me strukturën komanduese të Kombeve të Bashkuara duke i dhënë udhëzime batalionit Dutchbat apo që ai të ketë ushtruar në mënyrë të pavarur një komandim operativ. Nga komentari lidhur me nenin 7 të PAROI-ve (...) del se atribuimi i një sjelljeje shtetit dërgues ose organizatës ndërkombëtare mbështetet te kontrolli faktik i ushtruar mbi sjelljen specifike, kuadër ky në të cilin duhet të merren parasysh të gjitha rrethanat faktike dhe konteksti vetjak i çështjes. Në konkluzionet juridike të kundërshtuara, Gjykata e Apelit ka kërkuar të shohë, në dritën e mbarë rrethanave e të kontekstit vetjak të çështjes, nëse shteti e kishte ushtruar një kontroll faktik mbi sjelljen objekt konflikti të batalionit Dutchbat. Gjykata e Apelit nuk e ka interpretuar ose zbatuar pra të drejtën në mënyrë të gabuar.”
Gjykata e Kasacionit e la për pasojë në fuqi vendimin me anë të të cilit Gjykata e Apelit e kishte shpallur shtetin holandez përgjegjës për vdekjen e tre burrave.
I. Dokumente të tjera të brendshme
1. Raport vlerësimi rreth zbatimit të procedurës penale ushtarake në operacionet e kryera jashtë shtetit
75. Ky raport, i cili mban datën 31 gusht 2006, është hartuar nga një komision i përbërë nga një funksionar i lartë, një ish-kryeavokat i përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Arnhemit dhe një gjyqtar. Ai ishte porositur nga ministri i Drejtësisë, me kërkesën e Dhomës së Ulët të Parlamentit, si pasojë e valës goditëse të shkaktuar nga çështja Eric O. (paragrafët 67-69 të mësipërm).
76. Ky raport prek në veçanti pikën e juridiksionit, në kuptimin e nenit 1 të Konventës. Ai përmban në këtë drejtim pasazhin e mëposhtëm (f. 30):
“Efekti eksterritorial formal i Konventës duket se kufizohet vetëm te disa raste të veçanta. Kjo nuk i ndryshon asgjë faktit se normat që rrjedhin prej Konventës kanë një rreze veprimi të përgjithshme për operacionet ushtarake holandeze jashtë shtetit. Në mënyrë të pazakontë, Konventa është në zanafillë të disa normave themelore të rëndësishme që mund të zbatohen për hetimet penale rreth përdorimit të forcës të cilat kanë shkaktuar një vdekje ose plagosje (...)”
Raporti analizon pastaj jurisprudencën e brendshme lidhur me anët materiale e procedurale të nenit 2 të Konventës.
77. Ai përmend disa ndryshime që i janë bërë tashmë politikës në fushën e ndjekjeve penale si edhe mënyrës se si rregullat e angazhimit në luftim dhe udhëzime të tjera u janë përcjellë komandantëve në terren që prej çështjes Eric O. Ai propozon disa rregullime të reja.
78. Ai përsërit edhe një herë kritikat rreth mospërgatitjes së personelit të Xhandarmërisë Mbretërore në punën policore në zonat operative jashtë shtetit, por vë në dukje se më 2006 “është investuar shumë për të përmirësuar cilësinë e veprimtarive policore ushtarake” dhe se do të bëhet më shumë në muajt që do të vijnë.
79. Nga ana tjetër, raporti vë në dukje se një njohje e pamjaftueshme e terrenit nga prokuroria, e përbërë prej juristësh civilë, ka çuar nganjëherë në vendime tepër të ngutura për të ndjekur penalisht pjesëtarë të efektivit ushtarak, ku si ilustrim citohet çështja Eric O. Megjithatë, edhe në këtë pikë raporti bën fjalë për përmirësime.
80. Të shtënat nga të cilat e merr zanafillën kërkesëpadia e tanishme përmendet midis rasteve konkrete të studiuara nga komisioni, por incidenti nuk shqyrtohet me hollësi.
2. Raporti i Komisionit Van den Berg
81. Në kundërpërgjigje të disa pretendimeve se disa qytetarë irakianë kishin pësuar keqtrajtime, madje veprime torture, në duart e ushtarakëve holandezë, ministri i Mbrojtjes urdhëroi një hetim që u krye nga një komision zyrtar. Ky i fundit u përbë nga një ish-deputet (kryetari, J.T. van den Berg, që i dha emrin e tij komisionit) si dhe nga një deputet në detyrë, një gjenerallejtënant në pension e një kundëradmiral në pension.
82. Raporti me konkluzionet e komisionit u bë publik në qershor 2007. Ai vë në dukje se një version i mëparshëm i po këtij dokumenti është lexuar e komentuar nga dy ekspertë juridikë, ku një prej tyre ka qenë Znja Zegveld, e cila është sot përfaqësuesja e paditësit.
83. Raporti përmend disa fërkime brendapërbrenda njësisë së Xhandarmërisë Mbretërore në fjalë – e cila, në veçanti, nuk paska qenë e trajnuar ashtu siç duhet për hetimet penale të llojit policor – e disa tensione ndërmjet njësisë së lartpërmendur dhe batalioneve të marinsave që kishin qenë kontingjentet e para holandeze të dërguara në Irak (përpara batalionit të Armatës Tokësore Mbretërore, që ishte i bazuar aty në kohën e vdekjes së Z. Azhar Sabah Jaloud).
84. Raporti vë në dukje gjithashtu se Vendet e Ulëta nuk ishin një “fuqi pushtuese” dhe kishin shprehur për këtë arsye disa rezerva. Ndër të tjera, forcat holandeze nuk kishin kompetencën për ta vendosur një person në gjendje ndalimi ose për t’i ndjekur penalisht autorët e veprave penale. Çdo person i arrestuar nga forcat holandeze duhej t’u dorëzohej ose ushtrisë britanike, ose autoriteteve irakiane, në varësi të natyrës së dyshimeve. “Bashkëbisedimet” me persona të arrestuar në këtë mënyrë lejoheshin në kontekstin e mbrojtjes së forcave.
85. Raporti i merrej gjithashtu me pikën nëse mund të thuhet për një person që ndodhet jashtë Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, në një zonë ku forcat holandeze veprojnë brenda një konflikti të armatosur, se ai i përket juridiksionit të Vendeve të Ulëta; ai i përgjigjet kësaj në mënyrë pohuese.
86. Më 18 qershor 2007, ministri i Mbrojtjes ia paraqiti këtë raport Dhomës së Ulët të Parlamentit, të shoqëruar me një letër që i komentonte disa nga konstatimet që figuronin aty, por që i aprovonte konkluzionet e tij.
3. Raport përfundimtar i vlerësimit
87. Pas tërheqjes së plotë të kontingjentit të fundit holandez, u bë publik një raport përfundimtar vlerësimi. Ai vë në dukje se Qeveria holandeze u kishte bashkëngjitur detyrave të trupave holandeze disa “rezerva”, sipas të cilave Vendet e Ulëta nuk do të merrnin përsipër funksione administrative dhe nuk do të kryenin “veprimtari ekzekutive që të synonin sigurimin e ruajtjes së rendit”. Këto rezerva diktoheshin nga dëshira e Vendeve të Ulëta për të mos u konsideruar si një fuqi pushtuese de facto.
88. Lidhur me zgjedhjen e metodave, raporti deklaron se në fillim fjala ishte për të mos e vënë theksin te prania ushtarake dhe se ideja ishte që të shmangej sa të ishte e mundur përdorimi i patrullave dhe i pikave të kontrollit. Megjithatë, në praktikë kishte dalë se mjeti më i mirë për të garantuar sigurinë kalonte përmes patrullimeve të shpeshta, si ditën ashtu edhe natën, dhe vendosjes së pikave të kontrollit të automjeteve në ato itinerare që mund të përdoreshin nga kriminelë ose terroristë.
89. Në një pjesë tjetër, raporti bën fjalë për një numër të caktuar incidentesh ku ndaj ushtarakëve holandezë ka pasur të shtëna me armë zjarri, sidomos në pika kontrolli të automjeteve. Ai saktëson se në rastet kur ka pasur irakianë që janë plagosur ose vrarë, nuk është vërtetuar asnjë veprim në kundërshtim me Rregullat e Angazhimit në Luftim. Ai shënon se një irakian i plagosur nga të shtëna holandeze është mjekuar për disa javë në Vendet e Ulëta.
J. E drejta ndërkombëtare përkatëse
1. Rregullorja e Hagës
90. Përkufizimi se çfarë kuptohet me fuqi pushtuese dhe përmbajtja e detyrimeve të një fuqie të tillë, në trajtën që ato kanë rëndësi për çështjen në fjalë, paraqiten në thelb në nenet 42 deri 56 të Rregullores për Ligjet e Zakonet e Luftës në Tokë (Hagë, 18 tetor 1907; “Rregullorja e Hagës”).
91. Nenet 42 e 43 të Rregullores së Hagës përcaktojnë:
Neni 42
“Një territor quhet i pushtuar kur ai gjendet i vendosur faktikisht nën autoritetin e ushtrisë armike. Pushtimi shtrihet vetëm në territoret ku ky autoritet është i vendosur dhe në gjendje për t’u ushtruar.”
Neni 43
“Meqenëse autoriteti i pushtetit ligjor ka kaluar faktikisht në duart e pushtuesit, ky i fundit duhet të marrë të gjitha masat që varen prej tij për të rivendosur e siguruar, me aq sa është e mundur, rendin dhe jetën publike duke respektuar, përveçse kur ka pengesë absolute, ligjet në fuqi në atë vend.”
2. Konventa e Katërt e Gjenevës
92. Nenet 27 deri 34 dhe 47 deri 78 të Konventës (IV) për Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte (Gjenevë, 12 gusht 1949; “Konventa e Katërt e Gjenevës”) parashtrojnë me përpikëri detyrimet e një fuqie pushtuese. Nenet 6 dhe 29 të Konventës së Katërt të Gjenevës janë të formuluara kështu:
Neni 6
“Kjo Konventë do të zbatohet që në fillim të çdo konflikti ose pushtimi të përmendur në nenin 2.
Në territorin e Palëve në konflikt, zbatimi i Konventës do të pushojë në përfundimin e përgjithshëm të operacioneve ushtarake.
Në territorin e pushtuar, zbatimi i kësaj Konvente do të pushojë një vit pas përfundimit të përgjithshëm të operacioneve ushtarake; megjithatë, Fuqia Pushtuese do t’u nënshtrohet për të gjithë periudhën sa zgjat pushtimi – për aq kohë sa kjo Fuqi ushtron funksionet e qeverisjes në territorin në fjalë – dispozitave të neneve të mëposhtme të kësaj Konvente: 1 deri 12, 27, 29 deri 34, 47, 49, 51, 52, 53, 59, 61 deri 77 dhe 143.”
Neni 29
“Pala në konflikt nën pushtetin e së cilës ndodhen personat e mbrojtur është përgjegjëse për trajtimin që u bëhet atyre nga përfaqësuesit e saj, duke mbetur të pandryshuara përgjegjësitë e mundshme individuale.”
3. Rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
93. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (“Këshilli i Sigurimit”) miratoi Rezolutën 1483 (2003) gjatë seancës së 4761-të të tij, më 22 maj 2003. Pjesët me rëndësi për këtë çështje shprehen kështu:
“Këshilli i Sigurimit,
Duke rikujtuar të gjitha rezolutat e mëparshme rreth kësaj pike,
Duke ripohuar sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Irakut,
(...)
Duke marrë shënim letrën që Përfaqësuesit e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e të Irlandës së Veriut i kanë drejtuar Kryetarit të tij më 8 maj 2003 (S/2003/538) dhe duke i pranuar kompetencat, përgjegjësitë e detyrimet specifike të këtyre shteteve si fuqi pushtuese që veprojnë nën një komandë të njësuar (“Autoriteti), në bazë të së drejtës së zbatueshme ndërkombëtare,
Duke shënuar se disa shtete të tjera që nuk janë fuqi pushtuese po punojnë aktualisht ose mund të punojnë nën drejtimin e Autoritetit,
Duke përgëzuar gjithashtu vullnetin e Shteteve Anëtare për të dhënë ndihmesë për stabilitetin dhe sigurinë në Irak duke dhënë personel, pajisje dhe burime të tjera, nën drejtimin e Autoritetit,
(...)
Duke vepruar në bazë të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara,
1. U bën thirrje Shteteve Anëtare dhe organizatave të përfshira që ta ndihmojnë popullin irakian në përpjekjet që ai po bën për t’i reformuar institucionet e tij e për të rindërtuar vendin dhe që të japin ndihmesë për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë në Irak në përputhje me këtë rezolutë;
2. I nxit të gjitha Shtetet Anëtare të cilat e kanë mundësinë që t’iu përgjigjen menjëherë thirrjeve humanitare të bëra nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë në favor të Irakut dhe që të japin ndihmesë për t’iu përgjigjur nevojave humanitare e nevojave të tjera të popullsisë irakiane duke dërguar ushqime dhe furnizime mjekësore, si edhe mjetet e nevojshme për rindërtimin e Irakut dhe për rimëkëmbjen e infrastrukturës së tij ekonomike;
(...)
4. I kërkon Autoritetit, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me dispozitat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare, që ta zhvillojë mirëqenien e popullsisë irakiane duke siguruar një administrim efikas të territorit, sidomos duke u përpjekur për të rivendosur sigurinë e stabilitetin dhe për të krijuar kushtet që i japin mundësi popullit irakian për ta vendosur në mënyrë të lirë të ardhmen e tij politike;
5. U kërkon të gjitha palëve të përfshira që t’i përmbushin tërësisht detyrimet e tyre në vështrim të së drejtës ndërkombëtare, sidomos të Konventave të Gjenevës të vitit 1949 dhe të Rregullores së Hagës të vitit 1907;
(...)
8. I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm që të caktojë një përfaqësues të posaçëm për Irakun i cili do të ketë, në mënyrë të pavarur, përgjegjësinë për t’i raportuar rregullisht Këshillit rreth veprimtarive që do të zhvillojë në bazë të kësaj rezolute, për të bashkërenditur veprimin e Kombeve të Bashkuara të nesërmen e konfliktit në Irak, për të siguruar bashkërenditjen e përpjekjeve të bëra nga organizmat e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare që japin një ndihmë humanitare e që lehtësojnë veprimtaritë rindërtuese në Irak dhe, në bashkërendim me Autoritetin, për t’i ardhur në ndihmë popullsisë irakiane duke:
a) Bashkërenditur ndihmën humanitare dhe ndihmën për rindërtimin që sjellin organizmat e Kombeve të Bashkuara, si edhe veprimtaritë e zhvilluara nga këta të fundit dhe nga organizatat joqeveritare;
b) Lehtësuar riatdhesimin me vullnet të lirë të refugjatëve dhe të të zhvendosurve me rend e siguri;
c) Punuar pa reshtur me Autoritetin, popullin irakian dhe palët e tjera të përfshira për krijimin e rivendosjen e institucioneve kombëtare e vendore që mundësojnë ngritjen e një qeverisjeje përfaqësuese, veçanërisht duke punuar së bashku për të lehtësuar një proces që shpie në vendosjen e një qeverie irakiane përfaqësuese, të njohur nga bashkësia ndërkombëtare;
d) Lehtësuar rindërtimin e infrastrukturave kyçe, në bashkëpunim me organizata të tjera ndërkombëtare;
e) Favorizuar rimëkëmbjen ekonomike dhe vendosjen e kushteve të volitshme për zhvillimin e qëndrueshëm, sidomos duke siguruar bashkërenditjen me organizatat kombëtare dhe rajonale, si të jetë më e udhës, e me shoqërinë civile, donatorët e institucionet financiare ndërkombëtare;
f) Nxitur përpjekjet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që të sigurohen funksionet thelbësore të administratës civile;
g) Siguruar nxitjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut;
h) Mbështetur përpjekjet e bëra në shkallë ndërkombëtare për ta bërë sërish vepruese policinë civile irakiane;
i) Përkrahur përpjekjet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare për të nxitur reformat juridike dhe gjyqësore;
9. Mbështet krijimin nga populli irakian, me ndihmën e Autoritetit dhe në bashkëpunim me Përfaqësuesin e Posaçëm, të një administrate të përkohshme irakiane që do të shërbejë si administratë kalimtare e udhëhequr nga irakianë deri sa një qeveri përfaqësuese, e njohur nga bashkësia ndërkombëtare, të vendoset nga populli irakian e të marrë përsipër përgjegjësitë e Autoritetit;
(...)
26. U kërkon Shteteve Anëtare dhe organizatave ndërkombëtare e rajonale që të japin ndihmën e tyre për zbatimin e kësaj rezolute;
27. Vendos që të mbetet i ngarkuar me këtë çështje.”
94. Gjatë seancës së 4844-të të tij, më 16 tetor 2003, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1511 (2003), pjesët e së cilës me rëndësi për këtë çështje përcaktojnë:
“Këshilli i Sigurimit,
Duke ripohuar rezolutat e tij të mëparshme për Irakun, veçanërisht Rezolutat 1483 (2003) të datës 22 maj 2003 dhe 1500 (2003) të datës 14 gusht 2003, si edhe ato të cilat kanë të bëjnë me kërcënimet kundër paqes dhe sigurisë që përbëjnë aktet terroriste, ndër të cilat Rezoluta 1373 (2001) e datës 28 shtator 2001 e rezoluta të tjera përkatëse,
Duke theksuar se sovraniteti i Irakut qëndron te shteti irakian, duke ripohuar të drejtën e popullit irakian për ta vendosur në mënyrë të lirë të ardhmen e tij politike e për të qenë zot i burimeve të veta natyrore, duke u deklaruar përsëri i vendosur që dita kur irakianët do të vetëqeverisen të vijë shpejt, dhe duke e pranuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare, sidomos të asaj të vendeve të rajonit, të fqinjëve të Irakut dhe të organizatave rajonale, për ta çuar me shpejtësi përpara këtë proces,
Duke qenë i mendimit se mbështetja ndërkombëtare në favor të rivendosjes së stabilitetit e të sigurisë është thelbësore jo vetëm për mirëqenien e popullit irakian por edhe që të gjithë të interesuarit të jenë në gjendje për ta përmbushur detyrën e tyre në interesin e popullit irakian, dhe duke shprehur gëzim për ndihmesën që Shtetet Anëtare kanë sjellë në këtë drejtim në zbatim të Rezolutës 1483 (2003),
(...)
Duke vepruar në bazë të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara,
(...)
13. Është i mendimit se siguria dhe stabiliteti e kushtëzojnë përfundimin e procesit politik të parashikuar në paragrafin 7 të mësipërm dhe aftësinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të dhënë vërtet ndihmesë në këtë proces e në zbatimin e Rezolutës 1483 (2003), dhe autorizon një forcë ndërkombëtare, nën komandë të njësuar, që të marrë të gjitha masat e nevojshme për të dhënë ndihmesë në ruajtjen e sigurisë e të stabilitetit në Irak, sidomos që të sigurohen kushtet e nevojshme për zbatimin e kalendarit e të programit, si edhe për të dhënë ndihmesë për sigurinë e Misionit të Ndihmës të Kombeve të Bashkuara për Irakun, të Këshillit të Qeverisjes së Irakut dhe të institucioneve të tjera të administratës së përkohshme irakiane, si edhe të elementeve kryesore të infrastrukturës humanitare dhe ekonomike;
14. U lutet me ngulm Shteteve Anëtare që t’i japin ndihmë lidhur me këtë mandat të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë edhe forca ushtarake, forcës shumëkombëshe të parashikuar në nenin 13 të mësipërm.
(...)
16. Thekson se ka rëndësi që të krijohet një forcë e vlefshme irakiane policie dhe sigurimi, me qëllim që të ruhet rendi e siguria dhe të luftohet terrorizmi, ashtu siç thuhet në paragrafin 4 të rezolutës 1483 (2003), dhe u kërkon Shteteve Anëtare dhe organizatave ndërkombëtare e rajonale që të japin ndihmesë në përgatitjen e pajisjen e forcave irakiane të policisë e të sigurimit;
(...)
25. U lutet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në emër të forcës shumëkombëshe të parashikuar në nenin 13 të mësipërm, që t’i japin atij llogari, si të jetë më e udhës e të paktën çdo gjashtë muaj, për përpjekjet dhe përparimet e kryera nga kjo forcë;
26. Vendos që të mbetet i ngarkuar me këtë çështje.”
4. Jurisprudenca e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
a) Pasoja juridike të ndërtimit të një muri në territorin e pushtuar palestinez
95. Në mendimin e saj këshillues Pasoja juridike të ndërtimit të një muri në territorin e pushtuar palestinez (Gj.N.D. Përmbledhje 2004, f. 136), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është shprehur si vijon:
“109. Gjykata do të vërejë se, ndonëse kompetenca e shteteve është para së gjithash territoriale, ajo mund të ushtrohet nganjëherë edhe jashtë territorit kombëtar. Duke pasur parasysh objektin e qëllimin e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, duket e natyrshme që, edhe në rastin e kësaj hipoteze të fundit, shtetet palë në Pakt të jenë të detyruara që t’i respektojnë dispozitat e tij.
Praktika e përhershme e Komitetit për të Drejtat e Njeriut shkon në këtë drejtim. Ai ka çmuar në fakt se ky Pakt është i zbatueshëm në rastin kur një shtet e ushtron kompetencën e tij në një territor të huaj. Ai është shprehur rreth ligjshmërisë së veprimit të Urugait në rast arrestimi të kryer nga agjentët uruguaianë në Brazil ose në Argjentinë (çështja 52/79, López Burgos k. Uruguait; çështja 56/79, Lilian Celiberti de Cusariego k. Uruguait). Komiteti ka vepruar njëlloj në rastin e konfiskimit të një pasaporte nga një konsullatë e Uruguait në Gjermani (çështja 106/81, Montero k. Uruguait).
Punimet përgatitore të këtij Pakti e vërtetuan interpretimin e dhënë nga Komiteti për nenin 2 të këtij instrumenti. Nga kjo rezulton në fakt se, duke miratuar formulimin që kanë zgjedhur, autorët e Paktit nuk kanë pasur ndër mend që t’i lënë shtetet t’u shpëtojnë detyrimeve që u takojnë atyre kur e ushtrojnë kompetencën e vet jashtë territorit kombëtar. Ata vetëm sa kanë dashur që të mos lejojnë që persona të cilët janë me vendbanim jashtë shtetit të mundin të përfitojnë ndaj shtetit të tyre të prejardhjes nga të drejta të cilat nuk varen nga kompetenca e këtij të fundit, por nga ajo e vendit ku janë me vendbanim (shih diskutimin e projektit paraprak në Komisionin e të Drejtave të Njeriut, E/CN.4/SR.194, par. 46; dhe Kombet e Bashkuara, Dokumente zyrtare të Asamblesë së Përgjithshme, Sesioni i Dhjetë, aneks, A/2929, pjesa 2, kap. V, par. 4 (1955)).
110. Gjykata shënon në këtë drejtim qëndrimin e mbajtur nga Izraeli, për sa i përket zbatueshmërisë së Paktit, në komunikimet e tij për Komitetin e të Drejtave të Njeriut, si edhe pikëpamjet e Komitetit.
Më 1998, Izraeli deklaronte se, në momentin e hartimit të raportit të tij për Komitetin, i ishte dashur të shqyrtonte pikën “nëse personat që ishin me vendbanim në territoret e pushtuara i përkisnin efektivisht kompetencës së Izraelit” lidhur me zbatimin e Paktit (CCPRC/SR. 1675, par. 21 [përkthim i Sekretarisë së Gjykatës]). Ky shtet çmoi se “Pakti dhe instrumentet e së njëjtës natyrë nuk [kishin] të bëjnë drejtpërdrejt me situatën [që mbisundonte asokohe] në territoret e pushtuara” (po aty, par. 27).
Në vërejtjet përfundimtare që formuloi pasi e kishte shqyrtuar raportin, Komiteti shprehu shqetësimin e tij për qëndrimin e Izraelit, duke vënë në dukje “kohëzgjatjen e pranisë [së këtij të fundit] në territore[t] [e pushtuara], qëndrimin [e tij] të dykuptimtë ... lidhur me statusin e tyre të ardhshëm, si edhe juridiksionin faktik që ushtro[nin] aty forcat izraelite të sigurisë” (CCPR/C/79/Add.93, par. 10). Më 2003, përballë qëndrimit të pandryshuar të Izraelit, që konsideronte se “Pakti nuk zbatohe[j] përtej territorit të tij, konkretisht në Cisjordani e në Gaza ...”, Komiteti mbërriti në përfundimin e mëposhtëm:
“në rrethanat e tanishme, dispozitat e Paktit zbatohen në të mirë të popullsisë së territoreve të pushtuara, për sa u përket të gjitha veprimeve të kryera nga autoritetet ose nëpunësit e shtetit palë në këto territore, të cilat e komprometojnë gëzimin e të drejtave të sanksionuara në Pakt dhe janë nën përgjegjësinë e shtetit të Izraelit në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare publike” (CCPR/CO/78/1SR, par. 11).
111. Si përfundim, Gjykata çmon se Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike duhet të zbatohet në aktet e një shteti që vepron në ushtrim të kompetencave të tij jashtë territorit të vet kombëtar.”
b) Veprimtaritë e armatosura në territorin e Kongos (Republika Demokratike e Kongos k. Ugandës)
96. Në vendimin e saj Veprimtaritë e armatosura në territorin e Kongos (Republika Demokratike e Kongos k. Ugandës) (Gj.N.D. Përmbledhje 2005, f. 168), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është shprehur kështu:
“172. Gjykata do të vërejë se, sipas së drejtës ndërkombëtare zakonore ashtu siç pasqyrohet ajo në nenin 42 të Rregullores së Hagës të vitit 1907, një territor konsiderohet si i pushtuar kur ai gjendet i vendosur faktikisht nën autoritetin e ushtrisë armike, dhe se pushtimi shtrihet vetëm në atë territor ku ky autoritet është i vendosur dhe në gjendje për t’u ushtruar (shih Pasoja juridike të ndërtimit të një muri në territorin e pushtuar palestinez, mendim këshillues, Gj.N.D. Përmbledhje 2004, f. 167, par. 78, dhe f. 172, par. 89).
173. Me qëllim që të dalë në një konkluzion rreth pikës nëse një shtet forcat ushtarake të të cilit janë të pranishme në territorin e një shteti tjetër për shkak të një ndërhyrjeje është apo jo një “fuqi pushtuese” në kuptimin që e merr atë jus in bello, Gjykata do të shqyrtojë pikësëpari nëse ka elemente të mjaftueshme prove që tregojnë se autoriteti i sipërpërmendur gjendej efektivisht i vendosur e i ushtruar në zonat në fjalë nga shteti autor i ndërhyrjes. Gjykata, në këtë çështje, duhet të sigurohet që forcat ushtarake ugandeze të pranishme në RDK [Republikën Demokratike të Kongos] nuk ishin vetëm të stacionuara në këtë apo atë vend, por që ato e kishin zëvendësuar gjithashtu autoritetin e Qeverisë kongoleze me autoritetin e tyre. Nëse ishte ashtu, pak rëndësi do të kishte justifikimi i dhënë nga Uganda për pushtimin e saj si edhe përgjigja rreth pikës nëse Uganda paska vendosur apo jo një administratë të strukturuar ushtarake të territorit të pushtuar.
(...)
179. Meqenëse Gjykata ka vendosur se Uganda ishte një fuqi pushtuese në Ituri në periudhën përkatëse, kjo e fundit ngarkohet kështu me përgjegjësi jo vetëm për arsye të çdolloj veprimi të forcave të saj të armatosura që bie në kundërshtim me detyrimet e saj ndërkombëtare, por edhe për mostregimin e vigjilencës së duhur për të parandaluar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare nga aktorë të tjerë të pranishëm në territorin e pushtuar, duke përfshirë këtu grupet rebele që vepronin për llogarinë e tyre.
180. Gjykata vëren se Uganda është përgjegjëse për të gjitha veprimet e mosveprimet e forcave të saj të armatosura në territorin e RDK-së, të cilat i shkelin detyrimet që i takojnë asaj në bazë të rregullave – përkatës e të zbatueshëm në situatën e çështjes në fjalë – të së drejtës ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare.
(...)
213. Gjykata mbërrin kështu tani në pikën nëse veprimet dhe mosveprimet e UPDF-ve [Forcave të Mbrojtjes Popullore Ugandeze], të oficerëve dhe të ushtarëve të tyre mund t’i atribuohen Ugandës. Sjellja e UPDF-ve mund t’i atribuohet në tërësinë e saj qartësisht Ugandës, përderisa bëhet fjalë për sjelljen e një organi të shtetit. Në përputhje me një rregull të drejte ndërkombëtare të vendosur mirë, i cili merr një karakter zakonor, “sjellja e çdo organi të një shteti duhet të shihet si një veprim i këtij shteti” (Mosmarrëveshje lidhur me imunitetin e juridiksionit të një raportuesi të posaçëm të Komisionit të të Drejtave të Njeriut, mendim këshillues, Gj.N.D. Përmbledhje 1999 (I), f. 87, par. 62). Sjellja individuale e ushtarëve dhe oficerëve të UPDF-ve duhet të konsiderohet si një sjellje e një organi shtetëror. Sipas mendimit të Gjykatës, në bazë të statusit dhe të funksionit ushtarak të ushtarëve ugandezë në RDK, sjellja e këtyre të fundit mund t’i atribuohet Ugandës. Argumenti se personat në fjalë, në rrethanat e çështjes në fjalë, nuk paskan vepruar në cilësinë e personave që ushtrojnë të drejta të posaçme fuqie publike është për pasojë i pabazë.
214. Përveç kësaj, pika nëse pjesëtarët e UPDF-ve kanë vepruar ose jo në kundërshtim me udhëzimet e dhëna apo e kanë tejkaluar mandatin e tyre nuk ka rëndësi për t’ia atribuuar Ugandës sjelljen e UPDF-ve. Sipas një rregulli të vendosur mirë, me karakter zakonor, të parashtruar në nenin 3 të Konventës së Katërt të Hagës lidhur me Ligjet dhe Zakonet e Luftës në Tokë të vitit 1907 si edhe në nenin 91 të Protokollit Shtesë I të Konventave të Gjenevës të vitit 1949, një palë në një konflikt të armatosur është përgjegjëse për të gjitha veprimet e personave që bëjnë pjesë në forcat e saj të armatosura.”
c) Zbatimi i Konventës për Parandalimin dhe Shtypjen e Krimit të Gjenocidit (Bosnjë-Hercegovina k. Serbisë e Malit të Zi)
97. Në vendimin Zbatimi i Konventës për Parandalimin dhe Shtypjen e Krimit të Gjenocidit (Bosnjë-Hercegovina k. Serbisë e Malit të Zi), vendim, Gj.N.D. Përmbledhje 2007, f. 43), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka deklaruar si vijon:
“399. Dispozita [neni 8 i Neneve të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare rreth Përgjegjësisë së Shtetit] duhet të kuptohet në dritën e jurisprudencës së Gjykatës rreth kësaj pike, e në veçanti të vendimit të vitit 1986 në çështjen Veprimtari ushtarake dhe paraushtarake në Nikaragua e kundër saj (Nikaragua k. Shteteve të Bashkuara të Amerikës), të cituar më lart (paragrafi 391). Në këtë vendim, pasi, ashtu siç është thënë më lart, e ka mënjanuar tezën se të ashtuquajturit contras mund të barazoheshin me organe të Shteteve të Bashkuara sepse paskan qenë të vënë nën “vartësinë e plotë” të këtyre të fundit, Gjykata ka shtuar se i padituri mund të ngarkohej prapëseprapë me përgjegjësi nëse provohej që kishte qenë ai vetë që e kishte “urdhëruar ose diktuar kryerjen e veprimeve në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe me të drejtën humanitare të pretenduara nga shteti paditës” (Gj.N.D. Përmbledhje 1986, f. 64, par. 115), çka e ka çuar atë në konkluzionin e rëndësishëm të mëposhtëm:
“Në mënyrë që këto të fundit [Shtetet e Bashkuara] të ngarkohen me përgjegjësi juridike, duhet në parim që të vërtetohet se ato i kishin nën kontroll efektiv operacionet ushtarake ose paraushtarake [të kryera prej contras-ve] gjatë të cilave paskan ndodhur shkeljet në fjalë.” (Po aty., f. 65.)
400. Kriteri i përcaktuar kështu dallohet nga ai – i parashtruar më lart – që lejon që të barazohet me një organ shtetëror një person ose një entitet të cilit e drejta e brendshme nuk ia jep këtë status. Nga njëra anë, këtu nuk është më e nevojshme që të vërtetohet se personat që i kanë kryer veprimet kinse në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare ishin në përgjithësi të vënë nën “vartësinë e plotë” të shtetit të paditur; është më me leverdi të provohet se këta persona kanë vepruar sipas udhëzimeve ose nën “kontrollin efektiv” të këtij të fundit. Mirëpo, nga ana tjetër, është e nevojshme të vërtetohet se ky “kontroll efektiv” ushtrohej, ose se këto udhëzime janë dhënë, me rastin e secilit nga operacionet gjatë të cilave paskan ndodhur shkeljet e pretenduara, dhe jo në përgjithësi, ndaj tërësisë së aksioneve të kryera nga personat ose grupet e personave që i kanë kryer shkeljet e sipërpërmendura.
(...)
406. Pastaj duhet vënë re se kriteri i “kontrollit global” paraqet të metën madhore që e shtrin fushën e përgjegjësisë së shteteve shumë më tej sesa parimi themelor që e udhëheq të drejtën e përgjegjësisë ndërkombëtare, sipas të cilit një shtet është përgjegjës vetëm për sjelljen e vet, domethënë për atë të personave që, në çfarëdo cilësie qoftë, veprojnë në emrin e tij. I tillë është rasti i veprimeve të kryera nga organet zyrtare, e gjithashtu edhe nga personat ose entitetet që, ndonëse e drejta e brendshme e shtetit nuk i njeh prerazi si të tillë, duhet të barazohen me organe të shtetit sepse ndodhen të vënë nën vartësinë e tij të plotë. Jashtë këtyre rasteve, veprimet e kryera nga persona ose grupe personash – të cilët nuk janë as organe të shtetit, as të barazueshëm me organe të tilla – nuk mund ta ngarkojnë shtetin me përgjegjësi përveçse kur këto veprime, nëse supozohet se janë të paligjshme në pikëpamje ndërkombëtare, mund t’i atribuohen atij në bazë të normës së të drejtës ndërkombëtare zakonore të pasqyruar në nenin 8 të cituar më lart [neni 8 i Neneve të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare rreth Përgjegjësisë së Shtetit]. I tillë është rasti kur një organ i shtetit ka dhënë udhëzime, ose direktiva, mbi bazën e të cilave kanë vepruar autorët e veprimit të paligjshëm ose kur ai ka ushtruar një kontroll efektiv mbi veprimin gjatë të cilit është kryer paligjshmëria. Në këtë pikëpamje, kriteri i “kontrollit global” është i papërshtatshëm, sepse ai e dobëson tepër, aq sa e këput pothuajse fare, lidhjen që duhet të ekzistojë midis sjelljes së organeve të shtetit dhe përgjegjësisë ndërkombëtare të këtij të fundit.”
5. Nenet e Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare rreth Përgjegjësisë së Shtetit
98. Nenet rreth Përgjegjësisë së Shtetit dhe komentet lidhur me to janë miratuar nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare gjatë sesionit të tij të 53-të, më 2001, dhe i janë paraqitur Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në kuadrin e raportit të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare që tregonte për punimet e këtij sesioni (A/56/10). Raporti është botuar në Vjetarin e Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare (2001, vëll. II, pjesa e dytë). Në pjesët e tyre me rëndësi për çështjen në fjalë, nenet dhe komentet lidhur me to të miratuara bashkë me vetë nenet shprehen kështu (referencat që figurojnë në shënimet në fund të faqes janë hequr):
Neni 2
Elementet e një veprimi të paligjshëm të shtetit në pikëpamje ndërkombëtare
“Ka një veprim të paligjshëm të shtetit në pikëpamje ndërkombëtare atëherë kur një sjellje që lidhet me një veprim ose mosveprim:
a) Mund t’i atribuohet shtetit në bazë të së drejtës ndërkombëtare; dhe
b) Përbën një shkelje të një detyrimi ndërkombëtar të shtetit.”
Komenti lidhur me këtë nen vë në dukje konkretisht këtë që vijon:
“5) Në mënyrë që një sjellje e caktuar të mundë të cilësohet si një sjellje e paligjshme në pikëpamje ndërkombëtare, ajo duhet pikësëpari të jetë një sjellje që mund t’i atribuohet shtetit. Shteti është një entitet i organizuar real, një person juridik që ka cilësi të plotë për të vepruar sipas së drejtës ndërkombëtare. Por të pranosh këtë nuk do të thotë të mohosh të vërtetën elementare se shteti si i tillë nuk është i zoti për të vepruar. Një “veprim i shtetit” fut pa tjetër në lojë një veprim ose mosveprim të një qenieje njerëzore ose të një grupi: “Shtetet nuk mund të veprojnë përveçse me anë e nëpërmjet personit të nëpunësve dhe përfaqësuesve të tyre”. Fjala është që të përcaktohet se cilët janë personat që duhet të konsiderohen se veprojnë në emër të shtetit, domethënë se çfarë është ajo që e përbën një “veprim të shtetit” në vështrim të përgjegjësisë së shteteve.
6) Kur flitet për t’i atribuuar shtetit një sjellje, me shtet kuptohet një subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Në shumë sisteme juridike, organet e shtetit përbëhen nga persona të ndryshëm juridikë (ministri ose entitete të tjera) që konsiderohen se kanë të drejta e detyrime më vete në lidhje me të cilat vetëm ata mund të bëhen objekt i një padie e janë përgjegjës. Në vështrim të së drejtës ndërkombëtare të përgjegjësisë së shteteve, ky koncept është i ndryshëm. Shteti konsiderohet si një njësi, në përputhje me faktin që ai njihet si një person i vetëm juridik në të drejtën ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim, ashtu si në këndvështrime të tjera, t’i atribuosh shtetit një sjellje është medoemos një operacion normativ. Vendimtare këtu është që të ketë lidhje të mjaftueshme ndërmjet një ngjarjeje të caktuar dhe një sjelljeje (qoftë fjala për veprim apo për mosveprim) e cila mund t’i atribuohet shtetit në bazë të njërit apo tjetrit nga rregullat e parashtruar në kapitullin II.
7) Kushti i dytë që të ketë një veprim të paligjshëm të shtetit në pikëpamje ndërkombëtare është që sjellja që mund t’i atribuohet shtetit të përbëjë një shkelje nga ana e këtij shteti të një detyrimi ndërkombëtar që ekziston në ngarkim të tij (...)
12) Në pikën a, termi “atribuim (attribution)” përdoret për të emërtuar vendosjen e një lidhjeje të shtetit me një veprim ose mosveprim të caktuar. Në praktikën dhe në jurisprudencën ndërkombëtare, përdoret gjithashtu edhe termi “fajësim (imputation)”. Mirëpo termi “atribuim” jep mundësi që të mos lihet të nënkuptohet se procesi juridik i vendosjes së një lidhjeje me sjelljen e shtetit është diçka fiktive, apo që sjellja në fjalë është “në të vërtetë” ajo e dikujt tjetër.
13) Në pikën b, flitet për shkelje të një detyrimi ndërkombëtar e jo për shkelje të një rregulli ose norme të së drejtës ndërkombëtare. Ajo që ka rëndësi në këtë rast nuk është thjesht ekzistenca e një rregulli, por zbatimi i tij në rastin e çështjes në fjalë ndaj shtetit përgjegjës. Termi “detyrim” përdoret rëndom në jurisprudencën e në praktikën ndërkombëtare si edhe në doktrinë për t’i mbuluar të gjitha mundësitë. Fjala “detyrim” nënkupton vetëm një detyrim të së drejtës ndërkombëtare, çka e saktëson neni 3.”
Neni 6
Sjellja e një organi të vënë në dispozicion të shtetit nga një shtet tjetër
“Sjellja e një organi të vënë në dispozicion të shtetit nga një shtet tjetër, përderisa ky organ vepron në ushtrim të të drejtave të posaçme si fuqi publike të shtetit në dispozicion të të cilit ndodhet, konsiderohet si një veprim i shtetit të parë sipas së drejtës ndërkombëtare.”
Komenti lidhur me këtë nen vë në dukje konkretisht këtë që vijon:
“2) Shprehja “i vënë në dispozicion” shpreh kushtin thelbësor që duhet të përmbushet në mënyrë që sjellja e organit në fjalë, në të drejtën ndërkombëtare, të konsiderohet si një veprim i shtetit pritës dhe jo i shtetit dërgues. Nocioni i një organi “të vënë në dispozicion” të shtetit pritës është i përpiktë dhe nënkupton që organi vepron me pëlqimin, nën autoritetin e për qëllimet e shtetit pritës. Organi në fjalë nuk duhet që vetëm të ngarkohet për të ushtruar funksione vetjake të shtetit në dispozicion të të cilit është vënë. Në ushtrimin e funksioneve që i janë besuar atij nga shteti përfitues, organi duhet gjithashtu që të veprojë në lidhje me aparatin e këtij shteti dhe nën drejtimin e kontrollin ekskluziv të këtij të fundit, dhe jo në bazë të udhëzimeve të shtetit dërgues. Neni 6 nuk trajton pra situata të zakonshme bashkëveprimi ose bashkëpunimi ndërshtetëror, në bazë të një traktati apo ndryshe.
3) Midis shembujve të situatave që mund të përfshihen brenda kornizës së këtij nocioni të kufizuar organi të një shteti “të vënë në dispozicion” të një shteti tjetër mund të përfshihen rasti i një seksioni shërbimesh shëndetësore apo të tjera të vëna nën urdhrat e një vendi tjetër për të ndihmuar në vënien nën kontroll të një epidemie apo për t’u bërë ballë pasojave të një katastrofe natyrore, ose ai i gjyqtarëve të ngarkuar në disa raste të veçanta për të vepruar si organe gjyqësore të një shteti tjetër. Përkundrazi, rasti i dhënies thjesht të një ndihme apo një asistence nga organet e një shteti për një shtet tjetër në territorin e këtij të fundit nuk mbulohet nga neni 6. Kështu, në territorin e një shteti tjetër mund të dërgohen forca të armatosura për të ndihmuar në ushtrimin e së drejtës së vetëmbrojtjes kolektive ose për qëllime të tjera. Kur forcat në fjalë mbeten nën autoritetin e shtetit dërgues, ato ushtrojnë të drejta të posaçme fuqie publike të këtij shteti dhe jo të shtetit pritës. Mund të ndodhë gjithashtu që organi i një shteti të veprojë mbi bazën e udhëzimeve të përbashkëta të këtij shteti e të një tjetri, apo që një entitet të jetë një organ i përbashkët i disa shteteve. Në raste të tilla, sjellja në fjalë mund t’i fajësojë të dyja shteteve në bazë të disa dispozitave të tjera të këtij kapitulli.
4) Elementi kyç për nenin 6 është pra vendosja e një lidhjeje funksionale ndërmjet organit në fjalë dhe strukturës ose autoritetit të shtetit pritës. Nocioni i një organi “të vënë në dispozicion” të një shteti tjetër e përjashton rastin e organeve të një shteti të dërguara në një shtet tjetër për qëllimet e shtetit të parë ose edhe për qëllime të përbashkëta, të cilat e ruajnë autonominë e tyre dhe statusin e tyre vetjak, për shembull misionet kulturore, misionet diplomatike ose konsullore apo organizatat e huaja për ndihmë ose për ndihmë të shpejtë. Nga fusha e zbatimit të nenit 6 përjashtohen gjithashtu edhe ato situata ku funksionet e shtetit “përfitues” ushtrohen pa pëlqimin e tij, siç është rasti kur një shtet, i vënë në një situatë vartësie, pushtimi territorial apo tjetër, shtrëngohet që të bëjë lëshim e të pranojë që veprimi i organeve të veta të mënjanohet e të zëvendësohet në një masë pak a shumë të gjerë nga ai i organeve të një shteti tjetër.
5) Që të zbatohet neni 6, duhet të mblidhen dy kushte. Së pari, organi në fjalë duhet të zotërojë statusin e organit të shtetit dërgues dhe, së dyti, ai duhet të veprojë në ushtrim të të drejtave të posaçme të një fuqie publike të shtetit pritës. I pari nga këto kushte, e përjashton nga fusha e zbatimit të nenit 6 sjelljen e entiteteve private ose të individëve që nuk e kanë pasur kurrë statusin e organit të shtetit dërgues. Për shembull, ekspertë ose këshilltarë të vënë në dispozicion të një shteti në kuadrin e programeve të asistencës teknike nuk e kanë në përgjithësi statusin e organeve të shtetit dërgues. Kushti i dytë është që organi i vënë në dispozicion të një shteti nga një shtet tjetër duhet “të veprojë në ushtrimin e të drejtave të posaçme të një fuqie publike” të shtetit pritës. Do të ketë veprim që mund t’i atribuohet shtetit pritës vetëm në qoftë se organi i huazuar do të veprojë në ushtrim të të drejtave të posaçme të një fuqie publike të këtij shteti. Në krahasim me numrin e rasteve të aksioneve të bashkëpunimit të kryera nga shtetet në fusha si mbrojtja e ndërsjellë, ndihma dhe zhvillimi, neni 6 mbulon vetëm një nocion të përpiktë e të kufizuar “përgjegjësie të transferuar”. Gjithsesi, kjo situatë nuk është e panjohur në praktikën e shteteve.”
Neni 8
Sjellja nën drejtimin ose kontrollin e shtetit
“Sjellja e një personi ose e një grupi personash konsiderohet si një veprim i shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare në qoftë se ky person ose grup personash, duke e zgjedhur atë sjellje, vepron në fakt mbi bazën e udhëzimeve ose direktivave apo nën kontrollin e këtij shteti.”
Komenti lidhur me këtë nen vë në dukje konkretisht këtë që vijon:
“2) Jurisprudenca ndërkombëtare e pranon gjerësisht që një shteti t’i atribuohet një sjellje që ai në fakt e ka lejuar. Pak rëndësi ka në një rast të tillë që personi ose personat në fjalë të jenë persona privatë, ose që sjellja e tyre t’i përkasë ose jo një “veprimtarie publike”. Në të shumtën e rasteve, fjala është për situata në të cilat organet e shtetit e plotësojnë veprimtarinë e tyre vetjake duke rekrutuar persona ose grupe personash privatë në cilësinë e “ndihmësve” ose i nxitin ata të veprojnë në këtë cilësi duke qëndruar njëkohësisht jashtë strukturave zyrtare të shtetit. Mund të bëhet fjalë, për shembull, për individë ose grupe personash privatë që, edhe duke mos qenë të rekrutuar në mënyrë specifike nga shteti e duke mos bërë pjesë në polici ose në forcat e armatosura të këtij të fundit, janë të punësuar si ndihmës ose dërgohen si “vullnetarë” në vende fqinje, apo që kryejnë misione të veçanta jashtë shtetit mbi bazën e udhëzimeve të shtetit.
(...)
5) Këto pika i ka shqyrtuar gjithashtu edhe Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë. Në çështjen Tadić, Dhoma ka theksuar se:
Për ta fajësuar shtetin për veprime të kryera nga individë, e drejta ndërkombëtare kërkon që ai ta ushtrojë kontrollin e vet mbi ta. Megjithatë, shkalla e kontrollit që kërkohet mund të ndryshojë sipas rrethanave faktike të veçanta për secilën çështje. Dhoma e Apelit çmon se e drejta ndërkombëtare nuk ka sesi të kërkojë në të gjitha rastet një kontroll nga shumë afër.
Dhoma e Apelit ka çmuar se shkalla e kontrollit të autoriteteve jugosllave mbi këto forca të armatosura, e cila kërkohet në të drejtën ndërkombëtare në mënyrë që konflikti i armatosur të mundë të konsiderohet si ndërkombëtar, ishte “një kontroll global që shkonte përtej financimit e pajisjes së tyre të thjeshtë dhe që nënkuptonte gjithashtu një pjesëmarrje në planifikimin e në mbikëqyrjen e operacioneve të tyre ushtarake”. Gjatë argumentimit të tyre, shumica e anëtarëve e kanë gjykuar si të nevojshme që ta hidhnin poshtë qasjen e përqafuar nga GjND-ja në çështjen Veprimtari ushtarake dhe paraushtarake në Nikaragua e kundër saj, por pikat juridike dhe situata faktike nuk ishin të njëjtat si ato për të cilat i janë drejtuar Gjykatës në këtë çështje. Mandati i Gjykatës ka të bëjë me pika përgjegjësie penale individuale, jo me përgjegjësinë e shteteve, dhe pikëpyetja që shtrohej në çështjen e marrë në konsideratë nuk lidhej me përgjegjësinë, por me rregullat e zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Gjithsesi, nëse kjo apo ajo sjellje e caktuar ndodhte ose jo nën kontrollin e një shteti e nëse masa në të cilën kontrollohej kjo sjellje e përligj që sjellja t’i atribuohet shtetit në fjalë, kjo gjë duhet të përcaktohet rast pas rasti.”
K. Dokumente me rëndësi rreth pushtimit të Irakut
1. Dekreti nr. 28 i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit (Coalition Provisional Authority – CPA)
99. Dekreti nr. 28 i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit, me titullin “Krijim i Korpusit Irakian të Mbrojtjes Civile”, është miratuar më 9 mars 2003 nga administratori i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit, ambasadori L. Paul Bremer. Pjesët me rëndësi për çështjen në fjalë përcaktojnë:
“Në bazë të kompetencave që më jep cilësia ime si administrator i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit (CPA), duke pasur parasysh ligjet dhe zakonet e luftës e duke respektuar rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht Rezolutën 1483 (2003),
Duke shënuar se Rezoluta 1483 u bën thirrje Shteteve Anëtare për ta ndihmuar popullin irakian në përpjekjet që ai bën për të reformuar institucionet e tij dhe për të rindërtuar vendin, si edhe për të dhënë ndihmesë për sigurimin e stabilitetit dhe të sigurisë në Irak,
I vetëdijshëm për nevojën që të përballohen me shpejtësi kërcënimet me të cilat veprimet e paligjshme dhe katastrofat e kanosin sigurinë dhe stabilitetin publik,
Duke e pranuar se sulmet e aktet e vazhdueshme të sabotimit të kryera nga baasistët e mbetur dhe qëllimet terroriste për të minuar sigurinë në Irak kërkojnë krijimin e një force policore irakiane të përkohshme, e cila do të duhet të bashkëveprojë me Forcat e Koalicionit për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për të ruajtur sigurinë në Irak,
Dekretoj sa më poshtë vijon:
Neni 1
Krijimi i Korpusit Irakian të Mbrojtjes Civile
1) Krijohet përkohësisht Korpusi Irakian i Mbrojtjes Civile; vendimi për ta mbajtur ose shpërndarë këtë Korpus do t’i takojë një qeverie përfaqësuese, të njohur nga bashkësia ndërkombëtare dhe të vendosur nga populli irakian.
2) Korpusi Irakian i Mbrojtjes Civile është një organ shërbimesh sigurie dhe urgjence për Irakun. I përbërë nga irakianë, ai ndërhyn në përforcim të operacioneve të kryera nga forcat ushtarake të Koalicionit në Irak për të luftuar kundër grupeve të organizuara dhe individëve që përdorin dhunën ndaj popullsisë irakiane dhe infrastrukturave të saj kombëtare.
3) Për të mbështetur operacionet e Koalicionit që synojnë t’i sjellin siguri e stabilitet popullit irakian, Korpusi Irakian i Mbrojtjes Civile autorizohet të përmbushë detyra policore, konkretisht: të kryejë patrullime në zonat qytetare dhe fshatare; të zhvillojë operacione kërkimi e sekuestrimi armësh të paligjshme e objektesh të tjera kontrabande; të garantojë sigurinë e pozicioneve të palëvizshme, të pikave të kontrollit, të sektorëve, të itinerareve dhe të autokolonave; të sigurojë vënien nën kontroll të turmave e të trazirave; të ofrojë shërbimet e tij të ndërhyrjes gjatë një katastrofe; të sigurojë shërbime kërkimi e ndihme; të mbështesë misionet humanitare dhe operacionet e rimëkëmbjes pas një katastrofe, kryesisht përmes shërbimesh transporti; të kryejë patrullime të përbashkëta me Forcat e Koalicionit; të marrë pjesë në veprimtari të tjera që synojnë vendosjen e marrëdhënieve pozitive ndërmjet popullsisë irakiane dhe autoriteteve të Koalicionit, veçanërisht duke shërbyer si ndërlidhje me komunitetin.
4) Korpusi Irakian i Mbrojtjes Civile dallohet nga forca policore irakiane dhe nga Ushtria e Re Irakiane. Ai ndërhyn në përforcim të forcave policore, por është konceptuar për të kryer operacione që i tejkalojnë atributet e policisë.
a) Gjatë shërbimit të tyre dhe nën mbikëqyrjen e Forcave të Koalicionit, pjesëtarët e Korpusit Irakian të Mbrojtjes Civile nuk i nënshtrohen as udhëheqjes, as kontrollit të policisë irakiane. Me përjashtim të ndonjë dispozite të kundërt në këtë instrument, Korpusi Irakian i Mbrojtjes Civile nuk ka, ose nuk ushtron, funksione për ruajtje të rendit.
b) Korpusi Irakian i Mbrojtjes Civile nuk është një komponent i Ushtrisë së Re Irakiane të krijuar në bazë të Dekretit nr. 22 të CPA-së për krijimin e Ushtrisë së Re Irakiane (CPA/ORD/9 gusht 2003/22) dhe nuk u nënshtrohet urdhrave të zinxhirit komandues të Ushtrisë së Re Irakiane.
(...)
Neni 4
Funksionimi i Korpusit Irakian të Mbrojtjes Civile
1) Korpusi Irakian i Mbrojtjes Civile vepron nën autoritetin e administratorit të CPA-së dhe vihet nën mbikëqyrjen e Forcave të Koalicionit. Administratori i CPA-së mund t’i delegojë komandantit ushtarak epror të Forcave të Koalicionit në Irak përgjegjësinë dhe autoritetin lidhur me rekrutimin, përgatitjen, organizimin dhe kontrollin e Korpusit Irakian të Mbrojtjes Civile. Kjo përgjegjësi e ky autoritet mund të ridelegohen në bazë të nenit 7 të mëposhtëm.
2) Komanda operative ose taktike e njësive të Korpusit Irakian të Mbrojtjes Civile që vepron përkrah Forcave të Koalicionit i besohet një oficeri të Forcave të Koalicionit të caktuar nga komandanti ushtarak epror i Forcave të Koalicionit në Irak në bazë të nenit 7 të mëposhtëm (...)
Neni 7
Delegimi i autoritetit
Administratori i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit mund t’i delegojë komandantit ushtarak epror të Forcave të Koalicionit në Irak disa përgjegjësi, që do të përcaktohen prej tij, të parashikuara nga ky instrument. Edhe komandanti ushtarak epror i Forcave të Koalicionit në Irak mund t’u delegojë disa përgjegjësi të parashikuara nga ky instrument personave të vendosur nën komandën e tij.”
2. Memorandumi i Mirëkuptimit i DMN (S-E)-së (Divizioni Shumëkombësh, Juglindje)
100. Qeveria e paditur ka paraqitur fragmentin e mëposhtëm të Memorandumit të Mirëkuptimit që udhëhiqte procedurat për të cilat ishte rënë dakord ndërmjet Vendeve të Ulëta dhe Mbretërisë së Bashkuar:
“14.1 Pjesëtarët e DMN (S-E)-së mund të kenë e të mbajnë armë e municione në Irak sipas rregullave të shërbimit dhe procedurave kombëtare që zbatohen lidhur me to për qëllimet e misionit të DMN (S-E)-së dhe kur ato autorizohen nga komandanti i DMN (S-E)-së.
14.2 ROE-të e zbatueshme për DMN (S-E)-në paraqiten në Aneksin F. Faktorin thelbësor për nivelin e lejueshmërisë të parashikuar nga profili i ROE-ve e përbën mbrojtja e Forcës, dhe jo misioni i DMN (S-E)-së. Pjesëmarrësit kanë mundësi që, në kuadrin e udhëzimeve kombëtare ose shpjeguese për komandantët e kontingjenteve kombëtare, të vënë në dukje qëllimin e tyre për të zbatuar për forcat e veta një nivel të ndryshëm lejueshmërie, me kusht që:
a) çdo dallim t’i njoftohet këshilltarit juridik të komandantit të DMN (S-E)-së përpara zbatimit të ROE-ve në fjalë në Irak.
b) asnjë dallim të mos nënkuptojë një shkallë më të lartë lejueshmërie sesa ajo e lejuar nga ROE-të e DMN (S-E)-së.
14.3 Duke qenë i klasifikuar si sekret, Aneksi E [me gjasa, fjala është për Aneksin F] botohet më vete, për shpërndarje të kufizuar. Nënshkrimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi ka megjithatë vlerën e pranimit të ROE-ve që përmban Aneksi F.”
101. Sipas Qeverisë, Memorandumi i Mirëkuptimit parashikonte gjithashtu që Vendet e Ulëta do të ushtronin një juridiksion disiplinor e penal ekskluziv mbi personelin e tyre.
102. Gjatë ndërhyrjes së tij në seancën pranë Gjykatës, agjenti i Qeverisë së paditur ka deklaruar se Memorandumi i Mirëkuptimit ishte një dokument i klasifikuar dhe se ministri i Mbrojtjes nuk kishte pranuar ta shklasifikonte atë për qëllim të paraqitjes së tij para Gjykatës.
3. Memorandumi i Mirëkuptimit i DMN (C-S)-së (Divizioni Shumëkombësh, Qendër-Jug)
103. Forcat letone kanë marrë pjesë te SFIR-ja në kuadrin e Divizionit Shumëkombësh të bazuar në qendër-jug të Irakut e të vendosur nën komandë polake. Memorandumi i Mirëkuptimit që zbatohej aty është botuar nga Qeveria e Republikës së Letonisë në Latvijas Vēstnesis (nr. 5 (3163), 11 janar 2005), një botim zyrtar kushtuar akteve juridike dhe njoftimeve zyrtare. Pjesët e tij me rëndësi lexohen kështu:
“SEKSIONI I KATËRT — MANDATI
4.1. Në bazë të RCSNU-së 1483, DMN (C-S)-ja e SFIR-së ka për mandat që ta ndihmojë Autoritetin për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në Irak duke dhënë personel, pajisje dhe burime të tjera për të vepruar nën komandën e tij të njësuar në përputhje me marrëveshjen e paraqitur në Seksionin e Pestë të mëposhtëm. Detyrat kryesore të DMN (C-S)-së paraqiten në parashtresën e misionit që ndodhet në aneks të këtij Memorandumi Mirëkuptimi (MOU) (...)
4.2. Pjesëtarët e DMN (C-S)-së i përmbushin detyrat e tyre me përpikëri, drejtësi e ndershmëri dhe nuk kryejnë asnjë veprim të papajtueshëm me natyrën e pavarur të këtij të fundit. Çka paraprin nuk e kushtëzon të drejtën e SFIR-së për të vepruar për vetëmbrojtje ose për vetëmbrojtje të zgjeruar, si edhe për mbrojtjen e forcës dhe për zbatimin e misionit.
SEKSIONI I PESTË — KOMANDA DHE KONTROLLI I DMN (C-S)-SË
5.1. Komandimi i DMN (C-S)-së sigurohet nga Republika e Polonisë. Kjo e fundit bashkërendon krijimin e strukturës së DMN (C-S)-së dhe kujdeset që Pjesëmarrësit të mbahen të informuar për gjendjen e përparimit të krijimit të kësaj strukture.
5.2. Pjesëtarët e kontingjenteve kombëtare mbeten nën komandën e plotë të Pjesëmarrësit përkatës, nëpërmjet komandantit të kontingjentit kombëtar / përfaqësuesit të lartë kombëtar. Kontrolli operativ i të gjitha kontingjenteve kombëtare që marrin pjesë në DMN (C-S) i besohet një komandanti epror.
5.3. Pjesëmarrësit janë përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e lëvizjeve të forcave të tyre dhe për furnizimin nga depot dhe drejt pikave të zbarkimit (POD), sipas vijave të komunikimit (LOC) strategjike. Kjo përgjegjësi mund t’u delegohet organeve të tjera që veprojnë për llogari të Pjesëmarrësve. Operacionet e pritjes, grumbullimit e dërgimit (RSOM), duke përfshirë edhe operacionet e zhdoganimit portual, kryhen në përputhje me udhëzimet e përhershme në fuqi, me përjashtim të rastit nëse ka ndonjë vendimi të kundërt. Kontrolli taktik i të gjitha aspekteve të LOC-ve strategjike dhe taktike u besohet organizatave të ndryshme të ngarkuara me kontrollin e lëvizjeve në rrafshin e operacioneve (CJTF‑7).
5.4. Komandanti i DMN (C-S)-së ka kompetencë për t’i koordinuar mjetet logjistike të elementit mbështetës kombëtar, me qëllim që t’u përgjigjet nevojave operative ose që të sigurojë zgjidhjen e konflikteve në përdorimin e infrastrukturave ose të burimeve të kufizuara. Në këtë kontekst, mund të zbatohen dispozitat e Seksionit të Njëmbëdhjetë. Mjetet logjistike që përbëjnë tërësinë ose një pjesë të kontributit të një Pjesëmarrësi në DMN (C-S) janë nën kontrollin e parashikuar në paragrafin 5.2 të mësipërm.
5.5. Një transferim autoriteti (TOA) mbi forca i kryer në favor të komandantit të DMN (C-S)-së në përputhje me statusin e komandimit të DMN-së së mësipërme bëhet për kapacitetin e plotë operativ (FOC) të deklaruar nga komandantët e kontingjenteve kombëtare (NCC). Pasi bëhet TOA-ja, Pjesëmarrësit e ripohojnë statusin e komandimit të forcave të tyre me anë të një njoftimi për komandantin e DMN (C‑S)-së.
5.6. Komandanti i kontingjentit kombëtar / përfaqësuesi i lartë kombëtar është përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe të disiplinës brenda kontingjentit kombëtar të vënë nën komandën e tij.
5.7. Komandanti i DMN (C-S)-së mund të kërkojë heqjen e çdolloj personeli të caktuar pranë DMN (C-S)-së. Komandantët e kontingjentit kombëtar / përfaqësuesit e lartë kombëtarë shqyrtojnë çdo kërkesë të kësaj natyre dhe përpiqen ta vënë atë në zbatim në qoftë se rregullat e tyre kombëtare ua lejojnë atë gjë.
5.8. 7. Komandanti i DMN (C-S)-së është përgjegjës për bashkërendimin me CPA-në brenda zonës së përgjegjësisë operative (AOR) të DMN (C-S)-së. Pas këshillimit me Pjesëmarrësit përkatës, komandantët e brigadës caktojnë përfaqësues, të cilët duhet të shërbejnë si kontakte ushtarake me CPA-në brenda AOR-së së brigadës së tyre, dhe e mbajnë të informuar komandantin e DMN (C-S)-së. Këta përfaqësues marrin pjesë gjithashtu në një komision të përbashkët koordinimi..
5.9. Anglishtja është gjuha zyrtare e punës dhe e komandimit në DMN (C-S) deri në nivelin e batalionit, me përjashtim të Grupit Taktik 1.”
(...)
SEKSIONI I KATËRMBËDHJETË — RREGULLAT E ANGAZHIMIT NË LUFTIM (ROE) / MBAJTJA E ARMËVE DHE E MUNICIONEVE
14.1. Pjesëtarët e DMN (C-S) mund të kenë e të mbajnë armë dhe municione në Irak për qëllimet e misionit të DMN (C-S)-së kur ata autorizohen për këtë nga komandanti i DMN (C-S)-së.
14.2. ROE-të e zbatueshme për DMN (C-S) bëjnë pjesë në urdhrin operativ të DMN (C-S)-së. Kriterin thelbësor për nivelin e lejueshmërisë të parashikuar nga profili i ROE-ve e përbën mbrojtja e Forcës, dhe jo misioni i DMN (C-S)-së. Pjesëmarrësit kanë mundësi që, në kuadrin e udhëzimeve kombëtare ose shpjeguese për komandantët e kontingjenteve kombëtare, të vënë në dukje qëllimin e tyre për të zbatuar për forcat e veta një nivel të ndryshëm lejueshmërie, me kusht që:
a) çdo dallim fillestar t’i njoftohet komandantit të DMN (C-S)-së përpara një TOA-je. Dallimet e tjera mund të njoftohen në rast se është nevoja.
b) asnjë dallim të mos nënkuptojë një shkallë më të lartë lejueshmërie sesa ajo e lejuar nga ROE-të e DMN (C-S)-së.
SEKSIONI I GJASHTËMBËDHJETË — ANKESAT
16.1. Me përjashtim të ndonjë dispozite të kundërt të këtij MOU-je, secili Pjesëmarrës heq dorë nga çdolloj ankese që ai do të mund të paraqiste kundër një Pjesëmarrësi tjetër për arsye të ndonjë mosveprimi të çdo Pjesëmarrësi tjetër ose të pjesëtarëve të kontingjentit kombëtar të këtij të fundit në përmbushjen e detyrave zyrtare të lidhura me këtë MOU, i cili u ka shkaktuar plagë (qoftë edhe vdekjeprurëse) pjesëtarëve të kontingjentit të tij kombëtar apo dëmtime ose humbje pasurish që i përkasin atij ose që u përkasin pjesëtarëve të kontingjentit të tij kombëtar.
16.2. Në qoftë se, lidhur me një ankesë, Pjesëmarrësit përkatës vendosin me marrëveshje midis tyre se një dëm, një humbje, një plagosje ose një vdekje janë shkaktuar nga një veprim i pakujdesshëm, një mosveprim nga pakujdesia, një faj me dashje ose një pakujdesi e rëndë e një Pjesëmarrësi të vetëm, e personelit të tij ushtarak ose e nëpunësve apo përfaqësuesve të tij, shpenzimet që lidhen me çdolloj përgjegjësie eventuale përballohen vetëm prej këtij Pjesëmarrësi.
16.3. Në qoftë se përgjegjësi për plagosjen, vdekjen, humbjen ose dëmin ka më shumë sesa një Pjesëmarrës, ose në qoftë se është e pamundur që përgjegjësia për këtë t’i vihet në ngarkim një Pjesëmarrësi specifik, trajtimi dhe zgjidhja e ankesës bëhen objekt për një marrëveshje ndërmjet Pjesëmarrësve përkatës. Kostoja e trajtimit dhe e zgjidhjes së ankesës pjesëtohet në mënyrë të drejtë midis Pjesëmarrësve përkatës.
16.4. Ankimet e palëve të treta lidhur veçanërisht me humbjen ose prishjen e pasurive, një dëmtim trupor, një sëmundje, një vdekje ose çdolloj situate tjetër të shkaktuar nga efektivi i DMN (C-S)-së ose për të cilën fajësohet ai ose çdo individ i punësuar prej tij, me vendbanim të zakonshëm në Irak ose jo, e jo në lidhje me operacione luftimi ushtarak, i drejtohen atij Pjesëmarrësi personeli, pasuritë, veprimtaritë ose burimet e tjera të kontingjentit kombëtar të të cilit supozohet të jenë përgjegjës për dëmin në fjalë, për t’u trajtuar sipas ligjeve kombëtare të Shtetit Pjesëmarrës.
16.5. Ankesat e palëve të treta mblidhen fillimisht nga shtabi i DMN (CS)-së, pastaj i përcillen Pjesëmarrësit të quajtur si përgjegjës. Kur përgjegjës për plagosjen, vrasjen, humbjen ose dëmtimin është më shumë sesa një Pjesëmarrës, ose në qoftë se është e pamundur që përgjegjësia për to t’i vihet një Pjesëmarrësi të caktuar, kostot e trajtimit e të zgjidhjes së ankesave pjesëtohen në mënyrë të drejtë midis Pjesëmarrësve përkatës.
ANEKSI A
I MOU-SË SË DMN (C-S)-SË
PARASHTRESË E MISIONIT TË DMN (C-S)-SË SË FORCËS SË STABILIZIMIT
Hyrje
1. Në kuadrin e misionit, Pjesëmarrësit japin ndihmesë për të përmbushur detyra thelbësore. Këto të fundit nënkuptojnë nga ana tjetër një bashkëpunim në rritje me Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit (CPA) dhe me popullsinë vendëse irakiane për rimëkëmbjen dhe vendosjen e institucioneve vendëse.
Zona e Përgjegjësisë Operative (AOR) e DMN (C-S)-së
2. AOR-ja e DMN (C-S)-së së Forcës së Stabilizimit në Irak (SFIR) përfshin pesë provinca: Babil, Karbala, Wasit, Al-Qadisiyya dhe An-Najaf. Një hartë e përkohshme që tregon AOR-në e DMN (C-S)-së paraqitet në shtojcën 1 të këtij aneksi.
Detyrat kryesore
3. DMN (C-S)-ja i SFIR-së kryen në AOR, në mbështetje të Misionit, një tërësi detyrash të përcaktuara në varësi të ecurisë së situatës. Detyrat kryesore janë si më poshtë:
a) Siguria e jashtme / Siguria e kufijve. Detyrë e ndjekur nga DMN (C-S)-ja e SFIR-së. Mbrojtje e pikave kyçe, duke përfshirë mbikëqyrjen e kufirit tokësor dhe ndihmë për krijimin e një force irakiane për sigurinë e kufijve.
b) Siguria e brendshme. Detyrë e ndjekur nga DMN (C-S)-ja e SFIR-së. Ruajtja e një klime sigurie, veçanërisht nëpërmjet veprimtarive të zbulimit për eliminimin e kërcënimit që vjen nga grupet e armatosura dhe subversive.
c) Mbrojtja e Forcës. Detyrë e ndjekur nga DMN (C-S)-ja e SFIR-së. Kjo detyrë i përfshin të gjitha aspektet e operacioneve në vijim që synojnë të garantojnë sigurinë e SFIR-së dhe, për një periudhë të kufizuar, të personelit të CPA-së në mbarë AOR-në.
d) Siguria e pozicioneve të palëvizshme. Detyrë e ndjekur nga DMN (C-S)-ja e SFIR-së. Kjo detyrë përfshin përgjegjësinë e ruajtjes së sigurisë në pozicionet kyçe dhe të rëndësishme të AOR-së.
e) Qeverisja dhe mbështetja për infrastrukturat. Detyrë e ndjekur nga CPA-ja. DMN (C-S)-ja e SFIR-së duhet të mbështesë për një periudhë të kufizuar përpjekjet e CPA (C-S)-së që synojnë vendosjen e një qeverisjeje vendore të bazuar mbi shtetin e së drejtës e që u siguron drejtësinë dhe barazinë e të drejtave të gjithë qytetarëve irakianë të AOR-së, pavarësisht nga përkatësia etnike, feja ose gjinia. DMN (C-S)-ja e SFIR-së jep ndihmesë për realizimin e këtij objektivi duke vepruar në nivel vendor e rajonal për të krijuar mekanizma qeverisjeje dhe administrate civile, deri sa CPA-ja të jetë në gjendje që të punojë me popullsinë vendëse irakiane për të vendosur qeverisjen e plotë. DMN (C-S)-ja e SFIR-së vazhdon ta ndjekë këtë objektiv brenda AOR me Ekipe Mbështetëse të Qeverisjes (GST), deri sa Ekipet për Qeverisje Vendore (LGT) të CPA-së të jenë operative në AOR. Komandanti i DMN (C-S)-së së SFIR-së vazhdon të mbajë lidhjen me GST-të qëkurse CPA-ja ka marrë kontrollin, dhe ai punon në bashkëpunim të ngushte me CPA (C-S)-në për sinkronizimin e operacioneve ushtarake me veprimtaritë e Koalicionit. Për një periudhë të kufizuar, mund të jepet një mbështetje plotësuese në kuadrin e ngritjes dhe të mirëmbajtjes së infrastrukturave irakiane.
f) Zhvillimi i ruajtjes së rendit. Detyrë e ndjekur nga CPA-ja. DMN (C-S)-ja e SFIR-së jep një mbështetje për një periudhë të kufizuar. DMN (C-S)-ja e SFIR-së do të vazhdojë të japë ndihmesë në zhvillimin e Forcës Policore Civile, veçanërisht përmes kryerjes së patrullimeve të përbashkëta, krijimit të një ekipi vlerësimi të policisë, vendosjes së një procedure paraqitjeje padish, dhe një mbështetjeje për gjykatat e magjistratët vendorë irakianë për ruajtjen e rendit publik. Sapo të kryhet tranzicioni drejt CPA-së dhe popullsisë vendore irakiane, DMN (C-S)-ja e SFIR-së do të ruajë një rol ndërlidhës për qëllimet e bashkërendimit të veprimtarive për ruajtje të rendit, trajnim e mbikëqyrje përkrah ushtrisë.
g) Kriminelët e luftës. Detyrë e ndjekur nga CPA-ja. Një mbështetje nga DMN (C-S)-ja e SFIR-së eventualisht e nevojshme për të lehtësuar mbajtjen në burg të personave të dyshuar për krime lufte brenda AOR-së.
h) Rimëkëmbje e shërbimeve bazë. Detyrë e ndjekur nga CPA-ja. DMN (C-S)-ja e SFIR-së do të japë një mbështetje për një periudhë të kufizuar, deri sa stafetën të mundë ta marrë një personel civil irakian i punësuar me kontratë. DMN (C-S)-ja e SFIR-së është i ngarkuar, me ndihmën e CPA-së, për të lehtësuar vendosjen e shërbimeve bazë brenda AOR-së.
i) Krijimi i ushtrisë irakiane. Detyrë e ndjekur nga CPA-ja. DMN (C-S)-ja e SFIR-së do të japë një mbështetje ushtarake teorike, por pajisja me personel, përgatitja dhe pajisja e një strukture ushtarake irakiane i përkasin CPA-së.
4. Në vështrim të Konventës së Katërt të Gjenevës (për civilët), autoriteti i vetëm që ndërhyn në cilësinë e “fuqisë mbajtëse në burgim” brenda AOR-së është komandanti i DMN (C-S)-së së SFIR-së, i cili vepron në emër të Autoritetit.
5. Komandanti i DMN (C-S)-së së SFIR-së siguron në rast nevoje ndërlidhjen me udhëheqësit e jetës politike, shoqërore e fetare të AOR-së, me qëllim që ndjeshmëritë fetare, etnike dhe kulturore të Irakut të respektohen në mënyrën e duhur nga pjesëtarët e DMN (C-S)-së së SFIR-së.
Identifikimi
6. Pjesëtarët e personelit ushtarak e paraushtarak të DMN (C-S)-së së SFIR-së mbajnë uniformën dhe armët që ua autorizojnë të mbajnë udhëzimet e tyre. Gjatë shërbimit, pjesëtarët e Forcës Policore Civile irakiane duhet të jenë qartësisht të identifikueshëm nga një uniformë ose shenja të tjera dalluese, dhe mund të mbajnë armë në funksion të lejimeve që parashikojnë rregulloret e dekretet e CPA-së dhe pas vendosjes së [administratës] irakiane.
Vlerësimi i kërcënimeve
7. Forcat e Koalicionit çmojnë se kërcënimi i brendshëm që i kanoset stabilitetit në Irak vjen nga grupimet e armatosura që manovrojnë për të fituar pushtet e ndikim politik, partizanët e fundit baasistë dhe organizatat e tyre disidente, kriminelët dhe terroristët. Nga jashtë, kërcënimi është i kufizuar dhe shtetet fqinje janë bashkëpunuese. Situata është dinamike dhe mund të ndryshojë. Meqenëse pozita e DMN (C-S)-së së SFIR-së mund të kërkojë një përshtatje sipas ecurisë së situatës, Pjesëmarrësit duhet të tregojnë zhdërvjelltësi.
8. Pjesëmarrësit duhet ta kuptojnë mirë nevojën për t’i përcjellë komandantit të DMN (C-S)-së së SFIR-së çdo informacion që ka të bëjë me sigurinë e misionit si edhe të personelit, të pajisjeve dhe të vendqëndrimeve të tij.
Përbërja e DMN (C-S)-së
9. Kuptohet se, pas vendosjes së DMN (C-S)-së, përbërja e tij mund të ndryshojë.
Autoriteti përfundimtar në fushën e interpretimit
10. Komandanti i DMN (C-S)-së përfaqëson autoritetin përfundimtar kur është fjala për interpretimin e kësaj parashtrese misioni në kuadër të operacioneve.
Përmbledhje
11. Kjo parashtresë misioni paraqet detyrimet dhe përgjegjësitë e Pjesëmarrësve dhe përshkruan detyrat kryesore të misionit të DMN (C-S)-së së SFIR-së brenda AOR-së.”
104. Nënshkruesit e këtij dokumenti janë Republika e Letonisë, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Bullgarisë, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Danimarkës, ministri i Forcave të Armatosura të Republikës Dominikane, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Filipineve, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Hondurasit, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Hungarisë, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kazakistanit, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Republikës së Lituanisë, Ministria e Mbrojtjes e Mongolisë, ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Nikaraguas, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Norvegjisë, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Rumanisë, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Salvadorit, Ministria e Mbrojtjes e Republikës Sllovake, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Spanjës, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Tajlandës, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës dhe Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Republikës së Polonisë.
ANKESAT
105. Paditësi pretendon se ka pasur shkelje të nenit 2 në anën e tij procedurale.
106. Për mendimin e tij, hetimi nuk ka qenë i pavarur aq sa duhet, dhe kjo për arsyet e mëposhtme:
a) Njësia e Xhandarmërisë Mbretërore e pranishme në Irak paska qenë nën autoritetin e vetëm të komandantit të batalionit holandez; aty nuk paska pasur kurrfarë pranie të prokurorisë. Meqenëse pjesëtarët e njësisë paskan qenë, sipas paditësit, në të njëjtat kazerma me trupat e rregullta, nuk paska pasur distancë të mjaftueshme ndërmjet tyre dhe individëve rreth të cilëve atyre mund t’u kërkohej të kryenin hetime.
b) Prokurori i Arnhemit paska vendosur që të mos niste ndjekje penale ndaj togerit A. vetëm mbi bazën e raporteve të Xhandarmërisë Mbretërore, te të cilat ai paska pasur një besim të tepruar.
c) Edhe Dhoma Ushtarake e Gjykatës së Apelit të Arnhemit, e cila paska pasur midis anëtarëve të saj një oficer aktiv që nuk i përkiste magjistraturës, i paska zënë besë plotësisht rezultateve të hetimit – shumë të kufizuar, sipas mendimit të paditësit – të Xhandarmërisë Mbretërore.
107. Paditësi është i mendimit madje se hetimi nuk ka qenë efektiv aq sa duhet, kjo për arsyet e mëposhtme:
a) Nuk qenkan marrë deponimet e pjesëtarëve të CIDC-së që kanë qenë të pranishëm gjatë të shtënave, meqenëse një hetues i Xhandarmërisë Mbretërore paskësh vendosur, sipas paditësit, se ata nuk kishin informacione me rëndësi për të dhënë.
b) Marrja në pyetje e Z. Dawoud Joad Kathim, drejtuesit të Mercedesit, paska qenë tejet sipërfaqësore. Mirëpo, për paditësin, përderisa i interesuari kishte qenë dëshmitari i vetëm civil e pra dëshmitari i vetëm pa lidhje hierarkike apo lidhje tjetër funksionale me togerin A., deponimi i tij ishte i rëndësishëm. Përveç kësaj, deklarata e tij, ashtu siç është regjistruar nga hetuesit e Xhandarmërisë Mbretërore, nuk qenka përputhur me atë që ai i ka dhënë një funksionari irakian më vonë gjatë po asaj dite.
c) Togerit A. nuk i qenka bërë marrja e parë në pyetje veçse shtatë orë pas ngjarjeve objekt konflikti dhe gjatë asaj kohe atë nuk e paskan veçuar nga dëshmitarët e tjerë; ai e paska pasur të gjithë kohën e nevojshme për të folur me dëshmitarët e tjerë për të shtënat përpara se të merrej në pyetje dhe për t’i përshtatur fjalët e tij sipas interesit.
d) Të nesërmen e ngjarjeve, togeri A. paska deklaruar se ai kishte mundur të merrte nga zëvendëskomandanti i CIDC-së listën e pjesëtarëve të CIDC-së që i kishin përdorur armët e tyre si edhe numrin e fishekëve të zbrazur. Paditësi është i mendimit se fakti që togeri A., i dyshuari kryesor, paska mundur t’i merrte këto informacione prej një dëshmitari kyç e ka cenuar gjithashtu efektivitetin e hetimit.
e) Për më tepër, pavarësisht nga rëndësia e saj potenciale për çështjen, lista e marrë nga togeri A. nuk qenka përfshirë në dosje.
f) Xhandarmëria Mbretërore e paska mbajtur trupin e Z. Azhar Sabah Jaloud për disa orë pa e kryer megjithatë një autopsi. Kufoma qenka transferuar pastaj në një spital civil irakian, ku qenka bërë një autopsi në mungesë të përfaqësuesve të Xhandarmërisë Mbretërore. Raporti i autopsisë qenka përfshirë në dosje ashtu siç ishte, pa u përkthyer.
g) Të tjera prova shkencore dhe teknike qenkan trajtuar me një pakujdesi të njëjtë. Në veçanti, raporti lidhur me copëzat e plumbave të nxjerra nga trupi nuk qenka përkthyer in extenso.
108. Së fundi, paditësi pretendon se të afërmit e Z. Azhar Sabah Jaloud nuk qenkan ftuar për t’iu bashkuar hetimit aq sa duhet e as informuar për përparimet e tij. Kështu, askush nuk paska kërkuar ndonjëherë që të merrte kontakt me familjen e Z. Azhar Sabah Jaloud, dhe askush nuk e paska marrë mundimin për t’i informuar të afërmit për vendimin që të mos ndiqej penalisht togeri A.
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 2 TË KONVENTËS
A. Rreth pranueshmërisë
1. Kërkesa për prapësim paraprak e Qeverisë
109. Qeveria e kundërshton pranueshmërinë e kërkesëpadisë, duke mbrojtur mendimin se Z. Azhar Sabah Jaloud nuk i përkiste “juridiksionit” të Palës Kontraktuese të paditur në kuptimin e nenit 1 të Konventës.
110. Ashtu siç ka vepruar në çështjen Al-Skeini me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar ([DhM], nr. 55721/07, § 102, GjEDNj 2011), Gjykata do ta bashkojë këtë kërkesë për prapësim paraprak me themelin.
2. Përfundimi rreth pranueshmërisë
111. Në dritën e vërejtjeve të palëve, Gjykata është e mendimit se kërkesëpadia shtron në këndvështrimin e Konventës disa pikëpyetje të rëndësishme faktike dhe juridike, të cilat kërkojnë një shqyrtim në themel. Ajo del pra në përfundimin se kërkesëpadia nuk është haptazi e pabazuar në kuptimin e nenit 35 § 3 a) të Konventës. Duke konstatuar se kërkesëpadia nuk ndeshet me asnjë arsye tjetër papranueshmërie, ajo e shpall pra të pranueshme, pa e kushtëzuar vendimin e saj rreth kërkesës për prapësim paraprak të Qeverisë, rreth së cilës ajo do të shprehet këtu më poshtë.
B. Rreth juridiksionit
1. Tezat e palëve
a) Qeveria e paditur
112. Qeveria holandeze çmon se ngjarjet objekt konflikti nuk i përkasin “juridiksionit” të Vendeve të Ulëta në kuptimin e nenit 1 të Konventës. Ajo i kërkon Gjykatës që të bëjë dallimin midis kësaj çështjeje dhe çështjes Al-Skeini me të tjerë (të cituar më lart).
113. Ajo mbron pikësëpari mendimin se Vendet e Ulëta nuk ishin një “fuqi pushtuese” në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Ajo vë në dukje se këtë status e kishin vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, shprehimisht të emërtuara si “fuqi pushtuese” nga Rezoluta 1483 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ajo është e mendimit se kjo karakteristikë i dallon ato nga shtetet e tjera që kanë vepruar nën drejtimin e Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit.
114. Përveç kësaj, Vendet e Ulëta nuk paskan ushtruar në Irak asnjë prej të drejtave të posaçme të fuqisë publike të cilat qenkan normalisht ato të një shteti sovran. Këto të drejta të posaçme i paskan takuar tërësisht Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat paskan krijuar Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit.
115. Kontingjenti holandez paska qenë në çdo çast i vënë nën kontrollin operativ të komandantit të DMN (S-E)-së, i cili ishte një oficer britanik.
116. Qeveria shton se, ndonëse gjatë fazës fillestare të operacioneve të SFIR-së forcave holandeze iu desh të merrnin përsipër funksione të ruajtjes së rendit, kjo përgjegjësi iu kalua autoriteteve irakiane gjatë vitit 2003. Për këtë arsye, në momentin e ngjarjeve objekt konflikti, kompetencat policore nuk qenkan ushtruar nga autoritetet ose forcat holandeze.
117. Qeveria vë në dukje se, në vendimin e saj Al-Skeini me të tjerë, Gjykata ka dalë në përfundimin se Mbretëria e Bashkuar e ushtronte “juridiksionin” e saj në kuptimin e nenit 1 të Konventës sepse vdekjet në fjalë ishin shkaktuar nga veprimet e ushtarëve britanikë gjatë ose në kontekst operacionesh sigurimi, konkretisht të patrullimeve ushtarake, të kryera prej këtyre forcave. Në këtë çështje, përkundrazi, Z. Azhar Sabah Jaloud e paska gjetur vdekjen në një pikë kontrolli automjetesh të ngritur e të mbajtur nga CIDC-ja. Në momentin e ngjarjeve, disa ushtarakë holandezë paskan qenë sigurisht të pranishëm për qëllime vëzhgimi e këshillimi, por kjo nuk nënkuptuaka ekzistencën e një marrëdhënieje hierarkike të tillë që të fusë në lojë përgjegjësinë e Vendeve të Ulëta: qenkan forcat irakiane të sigurisë ato që e paskan pasur pushtetin mbi këtë pikë kontrolli.
118. Qeveria argumenton se forcat holandeze nuk kanë ushtruar në asnjë çast ndonjë pushtet ose ndonjë kontroll fizik mbi Z. Azhar Sabah Jaloud, meqenëse ky i fundit, sipas saj, nuk është ndodhur asnjëherë nën mbikëqyrjen e tyre. Më në përgjithësi, efektivet e forcave holandeze të pranishme në pjesën juglindore të Irakut paskan qenë të kufizuara dhe nuk e paskan ushtruar atë nivel kontrolli që nevojitej për ta bërë atë zonë që t’i përkiste “juridiksionit” holandez në kuptimin e nenit 1.
119. Fakti që një ushtarak paska shtënë mbi një person, sado që të vërtetohej se ajo qitje ka qenë fatale, nuk mjaftuaka në vetvete për të çuar në konkluzionin e ekzistencës së një juridiksioni në këtë drejtim. Në çështjen Banković me të tjerë k. Belgjikës me të tjerë ((vend. pran.) [DhM], nr. 52207/99, GjEDNj 2001‑XII), Gjykata paska thënë se fakti i thjeshtë që një person ka qenë viktimë e një rakete të lëshuar nga një avion bombardues i një shteti të caktuar nuk mjaftonte për ta bërë atë që t’i përkiste juridiksionit të këtij shteti.
120. Së fundi, Qeveria çmon se, edhe sikur të pranohet që në atë kohë Vendet e Ulëta ushtronin një kontroll efektiv mbi pikën e kontrollit të automjeteve, zona për të cilën bëhet fjalë ishte aq e kufizuar saqë nuk do të kishte më ndonjë dallim domethënës midis një “kontrolli efektiv global mbi një zonë” dhe “autoritetit e kontrollit të ushtruar nga një përfaqësues i shtetit”.
b) Qeveria palë e tretë
121. Qeveria britanike sjell si argument natyrën “kryesisht territoriale” të juridiksionit në kuptimin e nenit 1; shtrirja e tij përtej territorit të një Shteti Kontraktues qenka përjashtim. Vendimi Banković me të tjerë i cituar më lart, veçanërisht paragrafi i tij 65, nënkuptuaka që nocioni “juridiksion” nuk duhet të lihet të “evoluojë” ose “të zhvillohet në mënyrë progresive” njëlloj si e drejta lidhur me të drejtat dhe liritë materiale të garantuara nga Konventa. Doktrina e “instrumentit të gjallë” nuk u zbatuaka dot.
122. Qeveria palë e tretë mbron mendimin se kur një shtet, si pasojë e një veprimi ushtarak të ligjshëm ose jo, ushtron një “kontroll efektiv mbi një zonë” të ndodhur jashtë territorit të tij, neni 1 i cakton atij detyrimin për të njohur në atë zonë të gjithë gamën e të drejtave materiale të përcaktuara te Konventa dhe te Protokollet Shtesë që ai ka ratifikuar. Për rrjedhojë, rrethanat në të cilat paska prirje për të gjetur zbatim ky përjashtim i natyrës territoriale të juridiksionit qenkan detyrimisht shumë të kufizuara.
123. Në paragrafin 80 të vendimit Al-Skeini me të tjerë, Gjykata qenka pajtuar me konkluzionin e Gjykatës britanike të Apelit se do të kishte qenë diçka jorealiste që të pritej që forcat britanike, në qytetin Basorah dhe gjetiu në Irak, t’i njihnin popullsisë vendase të gjitha të drejtat materiale që rrjedhin nga Konventa.
124. Te Al-Skeini me të tjerë ashtu si në çështje të tjera, Gjykata paska çmuar se juridiksioni në kuptimin e nenit 1 ekzistonte mbi bazën e një pushteti e kontrolli fizik ekskluziv dhe të një autoriteti juridik (real ose të prezumuar) mbi një individ (në mënyrë hipotetike te Issa me të tjerë k. Turqisë, nr. 31821/96, 16 nëntor 2004, por reale te Öcalan k. Turqisë [DhM], nr. 46221/99, GjEDNj 2005‑IV, Al-Saadoon e Mufdhi k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 61498/08, GjEDNj 2010, dhe Medvedyev me të tjerë k. Francës [DhM], nr. 3394/03, GjEDNj 2010). Përkundrazi, në vendimin Banković me të tjerë, të cituar më lart, veprimi material i bombardimit nuk qenka konsideruar si shembull ushtrimi të një pushteti e të një kontrolli fizik të tillë që të shpien te konkluzioni i ekzistencës së një juridiksioni eksterritorial. Për rrjedhojë, u dashka të jetë njësoj për veprimin material të qitjes mbi një automjet në lëvizje me persona jo të burgosur.
125. Një dallim madhor ndërmjet kësaj çështjeje dhe çështjes Al-Skeini me të tjerë qëndruaka në faktin se në këtë të fundit Mbretëria e Bashkuar njihej si një “fuqi pushtuese” në kuptimin e nenit 42 të Rregullores së Hagës ishte për pasojë e detyruar në bazë të nenit 43 të po së njëjtës rregullore që të ushtronte kompetencat që i përkasin normalisht shtetit.
126. Së fundi, Qeveria britanike çmon se, në qoftë se Gjykata do të dilte në konkluzionin se Vendet e Ulëta e ushtronin juridiksionin e tyre në këtë çështje, atëherë do të kishte një “rrezik real” që Shtetet Kontraktuese të tregoheshin në të ardhmen ngurruese për t’iu “përgjigjur thirrjeve të bëra nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për të dërguar trupa për ndonjë ndërhyrje, [çka do të ishte] në dëm të misionit paqeruajtës dhe të sigurisë ndërkombëtare të Këshillit”.
c) Paditësi
127. Paditësi është i mendimit se faktet e denoncuara prej tij i përkasin juridiksionit të Vendeve të Ulëta.
128. Qenka kështu, së pari, për arsye të kontrollit që Vendet e Ulëta paskan ushtruar mbi ushtarakët e tyre, nëpërmjet të cilëve ky vend paska marrë përsipër disa të drejta të posaçme kyçe si fuqi publike. CPA-ja nuk qenka udhëhequr vetëm nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Mbretëria e Bashkuar; këto dy vende paskan përmbushur detyra administrative dhe koordinimi, por të tjera vende – mes të cilave Vendet e Ulëta – paskan dhënë ndihmesën e tyre duke vënë në jetë autoritetin e CPA-së dhe duke garantuar sigurinë. Kjo paska përfshirë edhe ushtrimin e “disave nga të drejtat e posaçme të fuqisë publike që ushtrohen normalisht nga [një shtet sovran]”.
129. Trupat holandeze paskan ushtruar të drejta të tilla të posaçme kur, në bazë “të pëlqimit, të ftesës ose të pranimit” të CPA-së, ato mbikëqyrnin CIDC-në në pikën e kontrollit.
130. Siç dalka nga qëndrimi zyrtar i Qeverisë holandeze, Vendet e Ulëta paskan pasur në çdo çast komandën e plotë mbi ushtarakët holandezë.
131. Së dyti, Vendet e Ulëta paskan pasur juridiksion për shkak të vetë kontrollit ushtarak efektiv që ata paskan ushtruar mbi zonën në fjalë. Duke iu referuar vendimit Issa me të tjerë k. Turqisë (nr. 31821/96, 16 nëntor 2004), paditësi mbron mendimin se mund të ketë juridiksion edhe në qoftë se kontrolli ushtarak është i kufizuar në kohë dhe në shtrirjen e tij gjeografike.
132. Së treti, juridiksioni i Vendeve të Ulëta u lidhka me statusin e tyre si “fuqi pushtuese” në kuptimin e nenit 42 të Rregullores së Hagës. Ndonëse duke e pranuar që vetëm Shtetet e bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar ishin vërtet të emërtuara si “fuqi pushtuese” nga Rezoluta 1483 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, paditësi çmon se zotërimi i këtij statusi në kuptimin e Rregullores së Hagës është një çështje fakti e jo zgjedhjeje.
133. Paditësi vë në dukje se Memorandumi i Mirëkuptimit i DMN (C-S)-së (paragrafi 103 i mësipërm), të cilin ai e konsideron për nevojat e këtij procesi si të njëjtë me Memorandumin e Mirëkuptimit që ishte i zbatueshëm në këtë çështje, i referohet Rregullores së Hagës, gjë nga e cila ai nxjerr përfundimin se kjo rregullore gjen pra vend për zbatim.
134. Së katërti, asnjë shtet tjetër nuk paska pasur kontroll mbi ngjarjet në fjalë. Mbretëria e Bashkuar nuk paska pasur asnjë përgjegjësi të drejtpërdrejtë ushtarake në provincën Al-Muthanna dhe Vendet e Ulëta gjithsesi nuk paskan kërkuar kurrë që t’ia kalonin asaj juridiksionin e tyre. Nga ana tjetër, në kohën përkatëse nuk paska pasur as administratë civile irakiane, as ushtri apo polici irakiane, dhe të drejtat e posaçme si fuqi publike i paska ushtruar CPA-ja me pjesëtarët e tjerë të koalicionit ushtarak, ndër të cilët Vendet e Ulëta.
135. Për sa u përket ngjarjeve të çështjes, ushtarakët holandezë paskan ushtruar kontrollin e tyre mbi VCP-në si edhe autoritetin e tyre mbi personelin irakian që ishte caktuar aty. Përveç kësaj, hetimin e paska kryer Xhandarmëria Mbretërore e Vendeve të Ulëta: ajo i paska sekuestruar pushkën e rreshterit Hussam Saad, të CIDC-së, automjetin e Z. Dawoud Joad Kathim dhe trupin e Z. Azhar Sabah Jaloud. Kjo dashka të thotë se Vendet e Ulëta kishin “disa nga të drejtat e posaçme të fuqisë publike që ushtrohen normalisht nga [një shtet sovran]”.
136. Së fundi, ministri holandez i Mbrojtjes, në letrën e tij të datës 18 qershor 2007 që ia përcillte Raportin e Komisionit Van den Berg Parlamentit, e paska pranuar konkluzionin e këtij raporti se Konventa zbatohej për trupat holandeze në marrëdhëniet e tyre me shtetasit irakianë në Irak.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Memorandumi i Mirëkuptimit i DMN (C-S)-së (Divizioni Shumëkombësh Qendër-Jug)
137. Gjatë seancës para Gjykatës, agjenti i Qeverisë së paditur, duke iu përgjigjur një pyetjeje të bërë nga Gjykata, ka deklaruar se autoritetet holandeze të ngarkuara me mbrojtjen nuk kishin pranuar ta shklasifikonin për Gjykatën Memorandumin e Mirëkuptimit që zbatohej për Mbretërinë e Bashkuar dhe për Vendet e Ulëta në provincën Al-Muthanna. Ai ka shtuar megjithatë se Memorandumi i Mirëkuptimit i DMN (C-S)-së “[jepte] një ide të mirë të llojit të dokumentit për të cilin bëh[ej] fjalë”.
138. Gjykata shënon se midis nënshkruesve të Memorandumit të Mirëkuptimit të DMN (C-S) figurojnë autoritetet e ngarkuara me mbrojtjen të shumë shteteve dërguese trupash për SFIR-në, veçanërisht ministri holandez i Mbrojtjes (paragrafi 104 i mësipërm). Ajo vëren nga ana tjetër se pjesa e Memorandumit të Mirëkuptimit të DMN (S-E)-së që Qeveria e paditur ka pranuar ta bëjë publike (paragrafi 100 i mësipërm) është shumë e ngjashme, ndonëse jo e njëjtë, me pjesën përgjegjëse të Memorandumit të Mirëkuptimit të DMN (C-S)-së (paragrafi 103 i mësipërm), dhe se agjenti i Qeverisë së paditur nuk i është referuar ekzistencës së çfarëdo dallimi të dukshëm ndërmjet dy memorandumeve të mirëkuptimit, madje as e ka hedhur fare fjalën për ndonjë gjë të tillë. Për këtë arsye, Gjykata do të niset nga parimi se të dy këto dokumente janë të njëjtë për sa u përket aspekteve rëndësore. Megjithatë, ajo do të tregohet e matur në përdorimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të DMN (C-S)-së.
b) Parimet e zbatueshme
139. Gjykata vëren se, sado që juridiksioni i shteteve është kryesisht territorial, ai mund të ushtrohet nganjëherë jashtë territorit kombëtar (shih, për krahasim, Pasoja juridike të ndërtimit të një muri në territorin e pushtuar palestinez, mendim këshillues, Gj.N.D. Përmbledhje 2004, f. 136, § 109 – paragrafi 95 i mësipërm). Gjykata rikujton se në vendimin e saj Al‑Skeini me të tjerë (të cituar më lart, §§ 130-139), ajo i ka përmbledhur si vijon parimet lidhur me ushtrimin e juridiksionit, në kuptimin e nenit 1 të Konventës, jashtë territorit të Shteteve Kontraktuese:
“130. (...) Në bazë të [nenit 1 të Konventës], zotimi i Shteteve Kontraktuese kufizohet vetëm që t’u “njohë” (në anglisht “to secure”) personave që i përkasin “juridiksionit” të tyre të drejtat dhe liritë e numëruara një për një (Soering k. Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 86, seria A nr. 161, dhe vendimi për pranueshmërinë Banković i cituar më lart, § 66). Në kuptimin e nenit 1, “juridiksioni” është një kusht sine qua non. Ai duhet të ketë qenë i ushtruar në mënyrë që një Shtet Kontraktues të mundë të mbahet si përgjegjës për veprimet ose mosveprimet për të cilat fajësohet e që janë në zanafillë të një pretendimi për shkelje të të drejtave dhe lirive të shpallura në Konventë (Ilaşcu me të tjerë, i cituar më lart, § 311).
α) Parimi i territorialitetit
131. Juridiksioni i një shteti, në kuptimin e nenit 1, është kryesisht territorial (Soering, i cituar më lart, § 86, Banković, vendim për pranueshmërinë i cituar më lart, §§ 61 e 67, dhe Ilaşcu, i cituar më lart, § 312). Ai prezumohet se ushtrohet normalisht mbi të gjithë territorin e tij (Ilaşcu, i cituar më lart, § 312, dhe Assanidzé k. Gjeorgjisë [DhM], nr. 71503/01, § 139, GjEDNj 2004‑II). Anasjelltas, veprimet e Shteteve Kontraktuese që kryhen ose prodhojnë pasoja jashtë territorit të tyre nuk mund të quhen veçse në rrethana të jashtëzakonshme se janë bërë në ushtrim të juridiksionit të tyre, në kuptimin e nenit 1 (Banković, i cituar më lart, § 67).
132. Deri më sot, Gjykata ka pranuar në jurisprudencën e saj një numër të caktuar rrethanash të jashtëzakonshme që mund të çojnë në ushtrimin e juridiksionit nga ana e një Shteti Kontraktues jashtë kufijve të vet. Në secilin rast, ekzistenca e rrethanave që e kërkojnë dhe e përligjin që Gjykata të dalë në përfundimin se shteti ka bërë një ushtrim eksterritorial të juridiksionit të tij duhet të vlerësohet në vështrim të fakteve të veçanta të çështjes.
β) Autoriteti dhe kontrolli i një përfaqësuesi të shtetit
133. Gjykata ka pranuar në jurisprudencën e saj se, duke bërë përjashtim nga parimi i territorialitetit, juridiksioni i një Shteti Kontraktues në kuptimin e nenit 1 mund të shtrihet edhe te ato veprime të organeve të tij që i përhapin pasojat e tyre jashtë territorit të tij (Drozd e Janousek, i cituar më lart, § 91, Loizidou (prapësime paraprake), i cituar më lart, § 62, dhe Loizidou k. Turqisë (themel), 18 dhjetor 1996, § 52, Përmbledhje e vendimeve 1996‑VI, dhe Banković, vendim për pranueshmërinë i cituar më lart, § 69). (...).
(...)
135. (...) Gjykata të dalë në përfundimin se bën ushtrim eksterritorial të juridiksionit të tij ai Shtet Kontraktues që, në bazë të pëlqimit, ftesës ose pranimit të qeverisë vendase, i merr përsipër të gjitha ose disa nga të drejtat e posaçme si fuqi publike që ushtrohen normalisht nga kjo e fundit (Banković, vendim për pranueshmërinë i cituar më lart, § 71). Për rrjedhojë, përderisa, në përputhje me një rregull të drejte ndërkombëtare zakonore, të një konvente apo tjetër, organet e tij marrin përsipër funksione ekzekutive ose gjyqësore në një territor të ndryshëm nga i veti, një Shtet Kontraktues mund të mbahet si përgjegjës për shkeljet e Konventës të kryera në ushtrimin e këtyre funksioneve, me kusht që faktet në fjalë të mund të fajësojnë atë dhe jo shtetin territorial (Drozd e Janousek, i cituar më lart, Gentilhomme, Schaff-Benhadji e Zeroukiet k. Francës, nr. 48205/99, 48207/99 dhe 48209/99, 14 maj 2002, si edhe X e Y k. Zvicrës, nr. 7289/75 dhe nr. 7349/76, vendim i Komisionit për pranueshmërinë i datës 14 korrik 1977, DR 9, f. 57).
136. Përveç kësaj, jurisprudenca e Gjykatës tregon se, në disa rrethana, përdorimi i forcës nga përfaqësuesit e një shteti që veprojnë jashtë territorit të tij mund ta kalojë nën juridiksionin e këtij shteti, në kuptimin e nenit 1, çdo person që ndodhet kështu nën kontrollin e tyre. Ky rregull është zbatuar në rastin e personave të dorëzuar në duart e përfaqësuesve të shtetit jashtë kufijve të tij. Kështu, në vendimin Öcalan k. Turqisë (të cituar më lart, § 91), Gjykata ka gjykuar se “qëkurse u ishte dorëzuar nga përfaqësuesit kenianë përfaqësuesve turq, [paditësi] [ishte] ndodhur efektivisht nën autoritetin e Turqisë dhe i përkiste pra “juridiksionit” të këtij shteti në vështrim të nenit 1 të Konventës, edhe pse, në atë rast, Turqia e k[ishte] ushtruar autoritetin e saj jashtë territorit të vet”. Në vendimin Issa me të tjerë të cituar më lart, ajo ka vënë në dukje se, sado që ishte vërtetuar se disa ushtarë turq i kishin arrestuar të afërmit e paditësve në pjesën veriore të Irakut përpara se t’i merrnin me vete te një shpellë aty pranë dhe t’i ekzekutonin, viktimat duhej të konsideroheshin se i përkisnin juridiksionit të Turqisë, kjo për pasojë të autoritetit e të kontrollit të ushtruar mbi viktimat nga ana e ushtarëve. Në vendimin Al-Saadoon e Mufdhi k. Mbretërisë së Bashkuar ((vend. pran.), nr. 61498/08, §§ 86-89, 30 qershor 2009), ajo ka çmuar se, përderisa kontrolli i ushtruar nga Mbretëria e Bashkuar mbi burgjet e saj ushtarake në Irak dhe mbi personat që qëndronin aty ishte absolut dhe ekskluziv, kishte vend për të menduar, lidhur me dy shtetas irakianë të burgosur në njërin prej tyre, se ata i përkisnin juridiksionit të Mbretërisë së Bashkuar. Së fundi, në vendimin Medvedyev me të tjerë k. Francës ([DhM], nr. 3394/03, § 67, GjEDNj 2010), ajo ka dalë në përfundim, lidhur me disa paditës që ishin gjendur në bordin e një anijeje të diktuar në det të hapur nga përfaqësues francezë, se duke pasur parasysh kontrollin absolut dhe ekskluziv të ushtruar në mënyrë të vazhdueshme e të pandërprerë nga këta përfaqësues mbi anijen e mbi ekuipazhin e saj që në çastin e diktimit të saj, ata i përkisnin juridiksionit të Francës në kuptimin e nenit 1 të Konventës. Gjykata është e mendimit se, në çështjet e sipërpërmendura, juridiksioni nuk ishte i bazuar vetëm te kontrolli i ushtruar nga Shteti kontraktues mbi ndërtesat, mjetin fluturues ose anijen ku mbaheshin të interesuarit. Elementi përcaktues në këtë lloj rastesh është ushtrimi i një pushteti dhe i një kontrolli fizik mbi personat në fjalë.
(...)
γ) Kontrolli efektiv mbi një territor
138. Parimit se juridiksioni i Shtetit Kontraktues në kuptimin e nenit 1 kufizohet brenda territorit të tij i bëhet një përjashtim tjetër kur, si pasojë e një veprimi ushtarak – të ligjshëm ose jo –, shteti ushtron një kontroll efektiv mbi një zonë të ndodhur jashtë territorit të tij. Detyrimi për ta siguruar në një zonë të tillë respektimin e të drejtave dhe të lirive të garantuara nga Konventa rrjedh nga fakti i këtij kontrolli, qoftë ai i ushtruar drejtpërdrejt, nëpërmjet forcave të armatosura të shtetit ose me anë të një administrate të nënshtruar vendase (Loizidou (përjashtime paraprake), i cituar më lart, § 62, Qipro k. Turqisë [DhM], nr. 25781/94, § 76, GjEDNj 2001‑IV, Banković, vendim për pranueshmërinë i cituar më lart, § 70, Ilaşcu, i cituar më lart, §§ 314-316, dhe Loizidou (fond), i cituar më lart, § 52). Kur mbi një territor është vendosur një sundim i tillë, nuk është nevoja të përcaktohet nëse Shteti Kontraktues që e ka atë në dorë ushtron një kontroll të caktuar mbi politikat dhe veprimet e administratës vendase që është nën vartësinë e tij. Për faktin që ai e siguron mbijetesën e kësaj administrate në saje të mbështetjes së tij ushtarake apo tjetër, ky shtet e ngarkon veten me përgjegjësi për politikat dhe veprimet e ndërmarra prej saj. Neni 1 i cakton atij detyrimin për t’i njohur në territorin në fjalë të gjitha të drejtat materiale që shpallen në Konventë dhe në Protokollet Shtesë që ai ka ratifikuar, dhe shkeljet e këtyre të drejtave mund ta fajësojnë atë (Qipro k. Turqisë, i cituar më lart, §§ 76-77).
139. Çështja nëse një Shtet Kontraktues e ushtron apo jo një kontroll efektiv mbi një territor jashtë kufijve të tij është një çështje fakti. Për t’u shprehur, Gjykata i referohet kryesisht numrit të ushtarëve të rreshtuar nga shteti në territorin në fjalë (Loizidou (themel), i cituar më lart, §§ 16 e 56, dhe Ilaşcu, i cituar më lart, § 387). Mund të merren parasysh edhe elemente të tjera, si për shembull se në çfarë mase mbështetja ushtarake, ekonomike dhe politike që shteti i jep administratës së nënshtruar vendase i siguron atij një ndikim e një kontroll në rajon (Ilaşcu, i cituar më lart, §§ 388-394).”
c) Zbatimi i parimeve të sipërpërmendura në faktet e kësaj çështjeje
140. Shteti i paditur mbështetet gjerësisht te argumenti se ngjarjet objekt konflikti nuk mund t’i fajësojnë Vendet e Ulëta përderisa autoriteti qenka ushtruar nga të tjerë: ose bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat Rezoluta 1483 e këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i paska emërtuar si “fuqi pushtuese”, ose vetëm nga Mbretëria e Bashkuar si “komb kryesues” në pjesën juglindore të Irakut që e paska komanduar kontingjentin holandez të SFIR-së.
141. Për të vërtetuar ekzistencën e një juridiksioni në vështrim të Konventës, Gjykata merr parasysh kontekstin e veçantë faktik dhe rregullat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare.
142. Lidhur pikësëpari me kontekstin juridik ndërkombëtar, Gjykata thekson se statusi si “fuqi pushtuese” në kuptimin e nenit 42 të Rregullores së Hagës, ose mungesa e këtij statusi, nuk është diçka përcaktuese. Ndonëse e ka gjykuar këtë nocion si rëndësor në çështjet Al-Skeini me të tjerë (të cituar më lart, § 143) dhe Al-Jedda k. Mbretërisë së Bashkuar ([DhM], nr. 27021/08, § 77, GjEDNj 2011), ajo nuk ka pasur nevojë që ta përdorte atë për të mbërritur në konstatimin se Turqia ngarkohej me përgjegjësi për faktin e ngjarjeve të ndodhura në pjesën veriore të Qipros (shih, veçanërisht, Loizidou k. Turqisë (prapësime paraprake), 23 mars 1995, seria A nr. 310, dhe Qipro k. Turqisë [DhM], nr. 25781/94, GjEDNj 2001‑IV), apo edhe Rusia për arsye të situatës në territorin moldav të ndodhur në lindje të Dniestrit (shih, veçanërisht, Ilaşcu me të tjerë k. Moldavisë e Rusisë [DhM], nr. 48787/99, GjEDNj 2004‑VII, dhe Catan me të tjerë k. Republikës së Moldavisë e Rusisë [DhM], nr. 43370/04, 8252/05 dhe 18454/06, GjEDNj 2012).
143. Përveç kësaj, zbatimi nga një Shtet Kontraktues i një vendimi apo urdhri të lëshuar nga autoriteti i një shteti të huaj nuk mjafton në vetvete për ta çliruar atë nga detyrimet që ka marrë vetë përsipër në lidhje me Konventën (shih, mutatis mutandis, Pellegrini k. Italisë, nr. 30882/96, § 40, GjEDNj 2001‑VIII, et K. k. Italisë, nr. 38805/97, § 21, GjEDNj 2004‑VIII). Për këtë arsye, shteti i paditur nuk i ka shpëtuar “juridiksionit” të tij, në kuptimin e nenit 1 të Konventës, për faktin e thjeshtë që e ka pranuar kontrollin operativ të komandantit të DMN (S-E)-së, i cili ishte një oficer britanik. Gjykata vëren se Vendet e Ulëta e kanë ruajtur “komandën e plotë” mbi personelin e tyre ushtarak, siç e kanë vënë në dukje edhe ministri Punëve të Jashtme dhe ai i Mbrojtjes në letrën e tyre dërguar Parlamentit (paragrafi 57 i mësipërm).
144. Rezoluta 1483 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dëshmon për praninë në Irak të forcave të shumë Shteteve Anëtare të Kombeve të Bashkuara që punonin nën udhëheqjen e “Autoritetit” (Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit) të përbërë nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. Duke e ripohuar “sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Irakut”, kjo rezolutë u kërkonte “të gjitha palëve të interesuara”, sido që ta kishin ose jo statusin e fuqisë pushtuese, që “t’i përmbushin plotësisht detyrimet e tyre në vështrim të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të Konventave të Gjenevës të vitit 1949 dhe të Rregullores së Hagës të vitit 1907” (paragrafi 93 i mësipërm).
145. E miratuar në gjurmën e Rezolutës 1483, Rezoluta 1511 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “nënvizonte” gjithashtu sovranitetin e shtetit irakian. Ajo u lutej me ngulm Shteteve Anëtare të Kombeve të Bashkuara që të jepnin ndihmesë për forcën shumëkombëshe për rivendosjen e stabilitetit e të sigurisë dhe u kërkonte Shteteve Anëtare dhe organizatave ndërkombëtare e rajonale që të ndihmonin për përgatitjen e pajisjen e forcave irakiane të policisë e të sigurisë.
146. Forca shumëkombëshe mori formë konkretisht përmes një tërësie memorandumesh mirëkuptimi që përcaktonin ndërveprimet midis kontingjenteve të ndryshme të armatosura të pranishme në Irak. Dëshmon për këtë letra që ministri i Punëve të Jashtme dhe ai i Mbrojtjes i drejtuan Dhomës së Ulët të Parlamentit më 6 qershor 2003 (paragrafi 57 i mësipërm) e që vinte në dukje se Qeveria holandeze ruante “komandën e plotë” mbi kontingjentin holandez në Irak. Gjykata e merr me mend, duke pasur parasysh mënyrën se si është hartuar paragrafi 5.2 i Memorandumit të Mirëkuptimit të DMN (C-S)-së (paragrafi 103 i mësipërm), se ky informacion mbështetej te Memorandumi i Mirëkuptimit i DMN (S-E)-së.
147. Nga Memorandumi i Mirëkuptimit i (C-S)-së, por edhe nga pjesa e shkëputur prej Memorandumit të Mirëkuptimit të DMN (S-E)-së të vënë në dispozicion të Gjykatës nga Qeveria (paragrafi 100 i mësipërm), del se forcat që u përkisnin atyre kombeve që nuk ishin “kombe kryesuese” i merrnin udhëzimet e tyre të zakonshme nga komandantë të huaj, por se përkufizimi i orientimeve kryesore – sidomos, brenda caqeve të miratuara në trajtën e Rregullave të Angazhimit në Luftim që u aneksoheshin Memorandumeve të Mirëkuptimit, hartimi i rregullave më vete lidhur me përdorimin e forcës – mbetej fusha e rezervuar e secilit shtet dërgues.
148. Pikërisht mbi këtë bazë, Qeveria e Vendeve të Ulëta u shpërndau efektivave ushtarakë holandezë një përkujtesë për komandantët e SFIR-së dhe një kartë të ushtarakut (paragrafi 59 i mësipërm).
149. Megjithëse trupat holandeze ishin të bazuara në një zonë të juglindjes së Irakut ku forcat e SFIR-së ndodheshin nën komandën e një oficeri britanik, Vendet e Ulëta e kishin prapëseprapë përgjegjësinë për të garantuar aty sigurinë, duke bërë përjashtim nga shtetet e tjera pjesëmarrëse, dhe ato ruanin aty komandën e plotë mbi kontingjentin e tyre.
150. Përcaktues nuk është as fakti që pika e kontrollit mbahej formalisht nga irakianë pjesëtarë të CIDC-së. Gjykata vëren se, sipas Dekretit nr. 28 të Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit (“Krijim i Korpusit Irakian të Mbrojtjes Civile”» – paragrafi 99 i mësipërm), CIDC-ja nuk ushtronte funksione ruajtjeje të rendit kombëtar në përmbushjen e të cilave ai të kishte kaluar nën vartësinë e autoriteteve irakiane; në fakt, CIDC-ja ishte i vendosur nën mbikëqyrjen dhe autoritetin e oficerëve të Forcave të Koalicionit (nenet 1 § 4 a), 4 § 1 dhe 7).
151. Për këtë arsye, Gjykata nuk ka sesi të dalë në konkluzionin se forcat holandeze ishin vënë “në dispozicion” të një fuqie të huaj, qoftë të Irakut, të Mbretërisë së Bashkuar apo të çfarëdo fuqie tjetër, as se ato ndodheshin “nën drejtimin dhe kontrollin ekskluziv” të çfarëdo shteti tjetër (shih për krahasim, mutatis mutandis, nenin 6 të Neneve të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare rreth përgjegjësisë së shtetit, paragrafi 98 i mësipërm; shih gjithashtu Zbatimi i Konventës për Parandalimin dhe Shtypjen e Krimit të Gjenocidit (Bosnjë-Hercegovina k. Serbisë e Malit të Zi, vendim, Gj.N.D. Përmbledhje 2007, f. 43, § 406, paragrafi 97 i mësipërm)).
152. Gjykata u kthehet pastaj rrethanave të vdekjes së Z. Azhar Sabah Jaloud. Ajo vëren se ky i fundit ka gjetur vdekjen kur automjeti me të cilin ai udhëtonte është vënë në shënjestër ndërkohë që ai po kalonte një pikë kontrolli të mbajtur nga personel i vendosur nën komandimin dhe mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të një oficeri të Ushtrisë Mbretërore holandeze. Pika e kontrollit ishte ngritur në kuadrin e zbatimit të misionit të SFIR-së të parashikuar nga Rezoluta 1483 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (paragrafi 93 i mësipërm), për rivendosjen e kushteve të stabilitetit dhe të sigurisë të përshtatshme për krijimin e një administrate efikase në vend. Gjykata është e mendimit se shteti i paditur e ushtronte “juridiksionin” e vet brenda caqeve të misionit të tij në gjirin e SFIR-së dhe për qëllimet e vendosjes së një autoriteti e të një kontrolli mbi personat që kalonin përmes kësaj pike. Për këtë arsye, Gjykata del në konkluzionin se vdekja e Z. Azhar Sabah Jaloud ka ndodhur në kuadrin e “juridiksionit” të Vendeve të Ulëta, sipas interpretimit që është e udhës t’i jepet këtij termi në vështrim të nenit 1 të Konventës.
153. Gjykata e ka vërtetuar pra juridiksionin e Vendeve të Ulëta. Asaj nuk i është kërkuar që të shohë nëse Mbretëria e Bashkuar, tjetër shtet palë në Konventë, ka mundur të ushtrojë një juridiksion konkurrues.
d) Fajësueshmëria
154. Gjykata rikujton se kriteret që e bëjnë të mundur vërtetimin e ekzistencës së një “juridiksioni” në kuptimin e nenit 1 të Konventës nuk janë barazuar kurrë me kriteret që bëjnë të mundur vërtetimin e përgjegjësisë së një shteti lidhur me një fakt ndërkombëtarisht të paligjshëm në vështrim të së drejtës ndërkombëtare të përgjithshme (Catan me të tjerë, i cituar më lart, § 115). Përveç kësaj, te Al‑Skeini me të tjerë, Gjykata ka theksuar se “që nga momenti kur një shtet, me anë të përfaqësuesve të tij, e ushtron kontrollin dhe autoritetin e tij mbi një individ, dhe për pasojë juridiksionin e tij, mbi të rëndon në bazë të nenit 1 një detyrim për t’ia njohur këtij të fundit të drejtat dhe liritë e përkufizuara në titullin I të Konventës që kanë të bëjnë me rastin e tij. Në këtë kuptim, për këtë arsye, të drejtat që rrjedhin nga Konventa mund të “copëzohen e përshtaten” (shih, për krahasim, vendimin për pranueshmërinë Banković me të tjerë, i cituar më lart, § 75) ».
155. Faktet në zanafillë të ankesave të paditësit rezultojnë nga veprime e mosveprime të pretenduara të personelit ushtarak, të autoriteteve hetimore dhe të organeve gjyqësore të Vendeve të Ulëta. Ato kanë pra natyrë të tillë që i ngarkon me përgjegjësi Vendet e Ulëta në vështrim të Konventës.
e) Kërkesa për prapësim paraprak e Qeverisë
156. Gjykata e rrëzon kërkesën për prapësim paraprak të Qeverisë, e cila ishte bashkuar me themelin (paragrafi 110 i mësipërm). Ajo duhet të marrë tani në shqyrtim themelësinë e ankesave të paditësit.
C. Rreth mospërmbushjes së pretenduar të detyrimit për të kryer hetime i cili rrjedh nga neni 2
157. Paditësi e qorton shtetin e paditur se nuk ka hetuar në mënyrë të përshtatshme rreth vrasjes së të birit të tij me qëllim për ta çuar para drejtësisë personin përgjegjës. Ai i referohet nenit 2 të Konventës, të formuluar kështu:
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Vdekja nuk mund t’i shkaktohet me qëllim kujtdo qoftë, me përjashtim të rastit të zbatimit të një vendimi kapital të dhënë nga një gjykatë, në rastin kur krimi ndëshkohet me këtë dënim nga ligji.
2. Vdekja nuk quhet e shkaktuar në kundërshtim me këtë nen në rastet kur ajo është pasojë e përdorimit të forcës të bërë absolutisht të domosdoshëm:
a) për të siguruar mbrojtjen e çdo personi kundër dhunës së paligjshme;
b) për të kryer një arrestim të rregullt ose për të penguar arratisjen e një personi ligjërisht të burgosur;
c) për të shtypur, në përputhje me ligjin, një trazirë ose një kryengritje.”
Qeveria e paditur e kundërshton që të jetë kryer ndonjë shkelje e nenit 2.
158. Qeveria palë e tretë nuk e ka marrë në shqyrtim themelin e ankesave të paditësit.
1. Tezat e palëve
a) Paditësi
159. Paditësi e vë në pikëpyetje pavarësinë e hetimit që është kryer rreth vdekjes së Z. Azhar Sabah Jaloud dhe të procedurës që e ka pasuar atë.
160. Së pari, ai dyshon për pavarësinë e njësisë së Xhandarmërisë Mbretërore që ishte me shërbim në Irak. Ai vë në dukje se kjo njësi ndante të njëjtat kazerma me trupat holandeze të SFIR-së dhe se ajo ishte pra në kontakt të ngushtë me këto të fundit. Ai shton se, meqenëse prokurori të cilit ajo duhej t’i raportonte ishte i bazuar në Vendet e Ulëta, njësia e Xhandarmërisë Mbretërore ishte e vendosur në veprimtarinë e saj të përditshme nën kontrollin e komandantit të batalionit holandez.
161. Ai çmon se kjo mungesë pavarësie e njësisë së lartpërmendur ka ndikuar gjithashtu për keq te vendimi i prokurorit për të mos e ndjekur penalisht togerin A., vendim i cili qenka bazuar kryesisht te hetimi i Xhandarmërisë Mbretërore. Ai parashtron se në vendimin e saj Ergi k. Turqisë (28 korrik 1998, Përmbledhje e vendimeve 1998‑IV), Gjykata ka dalë në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 2 në anën e tij procedurale me arsyetimin se prokurori që kishte dhënë vendimin për mungesë kompetence ishte mbështetur gjerësisht mbi një konkluzion që figuronte në një raport ngjarjeje të hartuar nga xhandarmëria.
162. Paditësi shton se edhe Dhoma Ushtarake e Gjykatës së Apelit të Arnhemit i ka zënë tërësisht besë rezultateve të hetimit – shumë të kufizuar për sytë e tij – të zhvilluar nga Xhandarmëria Mbretërore ndërkohë që, për mendimin e tij, ajo qenka dashur të urdhëronte nisjen e një hetimi nga një gjyqtar i pavarur.
163. Së fundi, ai është i mendimit se prania e një oficeri aktiv në gjirin e Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit shpie detyrimisht në konkluzionin se vendimi i marrë prej kësaj të fundit nuk mund të ishte i pavarur. Ai u referohet vendimeve Akkoç k. Turqisë (nr. 22947/93 e nr. 22948/93, GjEDNj 2000‑X) dhe Incal k. Turqisë (9 qershor 1998, Përmbledhje 1998‑IV).
164. Paditësi mbron nga ana tjetër mendimin se hetimi ka qenë i pamjaftueshëm.
165. Në radhë të parë, deklaratat e pjesëtarëve të CIDC-së të pranishëm në VCP në momentin e të shtënave nuk qenkan përfshirë në dosjen e hetimit të brendshëm. Raporti i Xhandarmërisë Mbretërore i përcjellë prokurorit dhe Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit qenka kufizuar vetëm duke vënë në dukje se këta persona nuk kishin qenë në gjendje të thoshin asgjë me rëndësi. Mirëpo pranë pjesëtarëve të CIDC-së qenkan marrë individualisht disa deklarata të hollësishme, por ato nuk i qenkan komunikuar as paditësit as Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit e nuk qenkan paraqitur përveçse gjatë procedurës pranë Gjykatës.
166. Marrja në pyetje e Z. Dawoud Joad Kathim, “dëshmitar kyç” sipas mendimit të paditësit sepse qenka fjala për dëshmitarin e vetëm civil dhe për të shpëtuarin e vetëm të të shtënave që nuk kishte qenë nën urdhrat e togerit A., paska qenë tejet sa për sy e faqe. Përveç kësaj, deklarata e tij, ashtu siç është regjistruar nga hetuesit e Xhandarmërisë Mbretërore, paska qenë në mospërputhje me atë të dhënë prej tij një funksionari irakian më vonë gjatë po asaj dite.
167. Togeri A. nuk i qenka nënshtruar marrjes së tij të parë në pyetje veçse shtatë orë pas ngjarjeve objekt konflikti dhe nuk qenka veçuar gjatë asaj periudhe kohore nga dëshmitarët e tjerë. Kështu, ai e paska pasur të gjithë kohën e nevojshme për të folur për të shtënat me dëshmitarët e tjerë përpara se të merrej në pyetje dhe t’i përshtaste fjalët e tij sipas interesave.
168. Të nesërmen e ngjarjeve, togeri A. paska deklaruar se ai kishte mundur të merrte nga zëvendëskomandanti i CIDC-së listën e pjesëtarëve të CIDC-së që i kishin përdorur armët e tyre si edhe numrin e fishekëve të zbrazur. Paditësi është i mendimit se edhe fakti që togeri A., i dyshuari kryesor, të ketë mundur t’i marrë këto informacione nga një dëshmitar kyç e ka cenuar gjithashtu efektivitetin e hetimit. Për më tepër, pavarësisht nga rëndësia e saj potenciale për çështjen, lista e marrë nga togeri A. nuk qenka përfshirë në dosje.
169. Xhandarmëria Mbretërore e paska mbajtur trupin e Z. Azhar Sabah Jaloud për disa orë pa e kryer megjithatë një autopsi. Kufoma qenka transferuar pastaj në një spital civil irakian, ku qenka bërë një autopsi në mungesë të përfaqësuesve të Xhandarmërisë Mbretërore. Raporti i autopsisë qenka përfshirë në dosje ashtu siç ishte, pa u përkthyer.
170. Të tjera prova shkencore dhe teknike qenkan trajtuar me një pakujdesi të njëjtë. Në veçanti, raporti lidhur me copëzat e plumbave të nxjerra nga trupi nuk qenka përkthyer in extenso.
171. Së fundi, paditësi pretendon se të afërmit e Z. Azhar Sabah Jaloud nuk qenkan ftuar për t’iu bashkuar aq sa duhet hetimit e as informuar për përparimet e tij. Kështu, askush nuk paska kërkuar ndonjëherë që të merrte kontakt me familjen e Z. Azhar Sabah Jaloud, dhe askush nuk e paska marrë mundimin për t’i informuar të afërmit për vendimin që të mos ndiqej penalisht togeri A.
b) Qeveria e paditur
172. Qeveria e paditur mbron mendimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 2.
173. Ajo është e mendimit se nuk shtrohet kurrfarë pikëpyetjeje pavarësie.
174. Xhandarmëria Mbretërore paska zinxhirin e vet komandues dhe nuk u varka përveçse nga prokurori për zhvillimin e hetimeve. Për sa i përket vendimit për të mos e ndjekur penalisht togerin A., paska qenë e pashmangshme që ai të mbështetej mbi raportin hetimor të Xhandarmërisë Mbretërore. Gjithsesi, asgjë nuk lënka vend për të menduar që Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit t’i ketë munguar pavarësia.
175. Po ashtu, hetimi paska qenë efektiv në mënyrë të mjaftueshme.
176. Pjesëtarët e Xhandarmërisë Mbretërore e paskan ekzaminuar vendin e të shtënave dhe i paskan mbledhur elementet e disponueshme të provës menjëherë pas mbërritjes së tyre.
177. Togeri A., i cili e paska njoftuar vetë ngjarjen, e paska marrë përsipër aty për aty përgjegjësinë e plotë për të shtënat; asgjë nuk lënka të shfaqet as orvatjen më të vogël nga ana e tij për t’i manipuluar elementet e provës.
178. Pjesëtarët e CIDC-së qenkan marrë me të vërtetë në pyetje, por ata nuk paskan qenë në gjendje që të sinjalizonin asgjë që të ishte me rëndësi. Gjithsesi, ata nuk paskan qenë të dyshuar.
179. Sipas Qeverisë, deponimet e Z. Dawoud Joad Kathim – ai i marrë nga Xhandarmëria Mbretërore dhe ai i marrë nga policia irakiane – nuk janë kontradiktore, ndonëse deklarata e të interesuarit, e bërë pranë policisë irakiane, sipas së cilës interpreti i kishte kërkuar atij që të thoshte se kishin shtënë vetëm pjesëtarët e CIDC-së nuk është aspak e besueshme për mendimin e saj.
180. Nevoja për t’ua besuar trupin irakianëve paska lindur si pasojë e mungesës së pajisjeve të nevojshme për realizimin e një autopsie në kampin holandez. Vendimi për ta përjashtuar personelin holandez gjatë autopsisë qenka marrë nga autoritetet irakiane.
181. Hetimi paska qenë gjithsesi i pamjaftueshëm për të mundur që të vërtetohet se, nga të gjithë ushtarakët holandezë të pranishëm, vetëm togeri A. kishte shtënë mbi automjetin, kështu që procedura penale qenka përqendruar tek ai.
182. Së fundi, Qeveria është e mendimit se paditësi është ftuar në mënyrë të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e procedurës: atij i qenkan dhënë informacione nëpërmjet avokatit të tij menjëherë sapo ky i fundit i paska kërkuar ato, dhe këto informacione paskan qenë të mjaftueshme për t’i dhënë atij mundësi që të merrte pjesë në mënyrë efektive në procedurën me anë të së cilës ai e ka kundërshtuar vendimin për të mos e ndjekur penalisht togerin A.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Rreth pikës nëse qitjet janë kryer vetëm nga togeri A. apo edhe nga pjesëtarët e CIDC-së
183. Gjykata duhet të shqyrtojë në radhë të parë argumentin e paditësit se elementet e disponueshme të provës – veçanërisht deponimet e mbledhura pranë pjesëtarëve të CIDC-së por jo të përfshira në dosjen e procedurës së brendshme – tregojnë se ai që ka shtënë ka qenë vetëm togeri A.
184. Është e vërtetë se asnjë pjesëtar i CIDC-së nuk ka pranuar se ka shtënë ndaj automjetit ku ndodhej Z. Azhar Sabah Jaloud. Gjykata vëren megjithatë se, sipas hetuesve të Xhandarmërisë Mbretërore, automjeti në fjalë ishte goditur nga plumba të kalibrave të ndryshëm, disa më të vegjël se 6 mm, të tjerë më të mëdhenj (paragrafi 32 i mësipërm). Ky element duket se është i pajtueshëm me përdorimin e të paktën dy llojesh arme zjarri, që mund të jenë fare mirë pushka Diemaco C7A1 me të cilën është pajisur ushtria holandeze (e cila përdor fishekë 5,56 mm NATO – paragrafi 50 i mësipërm) dhe Kallashnikovi AK-47 i përdorur nga CIDC-ja (i cili përdor fishekë 7,62 mm – paragrafi 52 i mësipërm). Në këto kushte, thëniet e paditësit se ai që ka hapur zjarr ka qenë vetëm togeri A. janë të pavërtetueshme.
185. Sidoqoftë, Gjykatës i kërkohet vetëm që të shohë nëse janë përmbushur detyrimet procedurale që rrjedhin nga neni 2 i Konventës. Prandaj, nuk është e nevojshme që ajo të shprehet rreth pikës në fjalë.
b) Parimet përkatëse
186. Siç e ka thënë Gjykata në vendimin Al-Skeini me të tjerë, të cituar më lart:
“163. Në mënyrë që ndalimi i përgjithshëm i vrasjeve arbitrare, i cili u drejtohet përfaqësuesve publikë, të dalë i efektshëm në praktikë, duhet që të ekzistojë një procedurë e cila jep mundësi që të kontrollohet ligjshmëria e përdorimit të forcës vdekjeprurëse nga ana e autoriteteve të shtetit. I bashkuar me detyrën e përgjithshme që i bie shtetit në bazë të nenit 1 të Konventës për t’i “njoh[ur] çdo njeriu që përfshihet në juridiksionin e [tij] të drejtat dhe liritë e përcaktuara në (...) Konvent[ë]”, detyrimi për të mbrojtur të drejtën për jetën që dikton kjo dispozitë kërkon në mënyrë të nënkuptuar që të kryhet një trajtë hetimi zyrtar efektiv sa herë që përdorimi i forcës, veçanërisht nga përfaqësuesit e shtetit, ka shkaktuar vdekje njeriu (McCann, i cituar më lart, § 161). Fjala është në thelb që, përmes një hetimi të tillë, të sigurohet zbatimi efektiv i ligjeve të brendshme që e mbrojnë të drejtën për jetën dhe, në ato çështje ku janë të përzier përfaqësues ose organe të shtetit, të garantohet që këta të fundit të detyrohen të japin llogari lidhur me vdekjet e ndodhura nën përgjegjësinë e tyre (Natchova me të tjerë k. Bullgarisë [DhM], nr. 43577/98 dhe nr. 43579/98, § 110, GjEDNj 2005‑VII). Gjithsesi, hetimi duhet të jetë gjithashtu aq i gjerë saqë t’u lejojë autoriteteve që janë të ngarkuara me të që të marrin në shqyrtim jo vetëm veprimet e përfaqësuesve të shtetit që e kanë përdorur drejtpërdrejt forcën vdekjeprurëse, por edhe tërësinë e rrethanave ku janë ndodhur ata, sidomos përgatitjen e operacioneve në zhvillim e sipër dhe kontrollin e ushtruar mbi to, në rast se këto elemente do të nevojiten për të përcaktuar nëse shteti e ka përmbushur apo jo detyrimin që i cakton atij neni 2 për të mbrojtur jetën (shih, për pasojë, McCann, të cituar më lart, §§ 150 e 162, Hugh Jordan k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 24746/94, § 128, GjEDNj 2001‑III, McKerr, të cituar më lart, §§ 143 e 151, Shanaghan k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 37715/97, §§ 100-125, 4 maj 2001, Finucane k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 29178/95, §§ 77-78, GjEDNj 2003‑VIII, Natchova, të cituar më lart, §§ 114-115, si edhe, mutatis mutandis, Tzekov k. Bullgarisë, nr. 45500/99, § 71, 23 shkurt 2006).
164. Gjykata ka gjykuar tashmë se detyrimi procedural që rrjedh nga neni 2 vazhdon të zbatohet edhe nëse janë të vështira kushtet e sigurisë, duke përfshirë këtu edhe kontekstin e një konflikti të armatosur (shih, ndër shembuj të tjerë, Güleç k. Turqisë, 27 korrik 1998, § 81, Përmbedhje 1998‑IV, Ergi k. Turqisë, 28 korrik 1998, §§ 79 e 82, Përmbledhje 1998‑IV, Ahmet Özkan me të tjerë k. Turqisë, nr. 21689/93, §§ 85-90, 309-320 dhe 326-330, 6 prill 2004, Issaïeva k. Rusisë, nr. 57950/00, §§ 180 e 210, 24 shkurt 2005, dhe Kanlibaş k. Turqisë, nr. 32444/96, §§ 39-51, 8 dhjetor 2005). Sigurisht, mundet që, në rast se vdekja lidhur me të cilën neni 2 kërkon një hetim ndodh në një kontekst dhune të përgjithshme, konflikti të armatosur ose kryengritjeje, hetuesit të ndeshin pengesa dhe që, siç e ka vënë madje në dukje Raportuesi i Posaçëm i OKB-së [...], disa pengesa të caktuara të diktojnë përdorimin e masave hetimore më pak të efektshme ose t’i vonojnë kërkimet (shih, për shembull, Bazorkina k. Rusisë, nr. 69481/01, § 121, 27 korrik 2006). Megjithatë, detyrimi që cakton neni 2 për të mbrojtur jetën nënkupton, edhe në kushte të vështira sigurie, marrjen e të gjitha masave të arsyeshme për të garantuar që të kryhet një hetim efektiv dhe i pavarur rreth shkeljeve të pretenduara të së drejtës për jetën (shih, mes shumë shembujsh të tjerë, Kaya k. Turqisë, 19 shkurt 1998, §§ 86-92, Përmbledhje 1998‑I, Ergi, i cituar më lart, §§ 82-85, Tanrıkulu k. Turqisë [DhM], nr. 23763/94, §§ 101-110, GjEDNj 1999‑IV, Khachiev e Akaïeva k. Rusisë, nr. 57942/00 dhe nr. 57945/00, §§ 156-166, 24 shkurt 2005, Issaïeva, i cituar më lart, §§ 215-224, dhe Moussaïev me të tjerë k. Rusisë, nr. 57941/00, 58699/00 e 60403/00, §§ 158-165, 26 korrik 2007).
165. Për sa i përket pikës se cila formë hetimore është me natyrë të tillë që mundëson të arrihen objektivat e ndjekur nga neni 2, kjo mund të ndryshojë sipas rrethanave. Megjithatë, cilado qofshin mënyrat e zgjedhura, autoritetet duhet të veprojnë me nismën e vet, sapo që çështja është sjellë në vëmendjen e tyre. Ato nuk mund t’ua lënë të afërmve të të ndjerit nismën për të paraqitur një padi formale apo përgjegjësinë për të nisur një procedurë hetimore (Ahmet Özkan me të tjerë, i cituar më lart, § 310, dhe Issaïeva, i cituar më lart, § 210). Procedura civile, e cila çelet me nismën e të afërmve dhe jo të autoriteteve e që nuk jep mundësi as për ta identifikuar, as për ta sanksionuar autorin e pandehur të një vepre penale, nuk ka sesi të merret parasysh në vlerësimin e respektimit nga shteti të detyrimeve të tij procedurale që rrjedhin prej nenit 2 (shih, për shembull, Hugh Jordan, të cituar më lart, § 141). Përveç kësaj, këto detyrime nuk përmbushen dot vetëm me pagesën e dëmeve dhe interesave (McKerr, i cituar më lart, § 121, dhe Bazorkina, i cituar më lart, § 117).
166. Siç u tha më sipër, hetimi duhet të jetë efektiv në kuptimin që ai duhet të japë mundësi për të përcaktuar nëse përdorimi i forcës ishte i përligjur ose jo në ato rrethana si edhe për të identifikuar e sanksionuar personat përgjegjës. Fjala është për një detyrim jo rezultati, por mjetesh. Autoritetet duhet të kenë marrë masat e arsyeshme që kanë pasur në dorë për të siguruar mbledhjen e provave lidhur me ngjarjen në fjalë, duke përfshirë, ndër të tjera, deponimet e dëshmitarëve okularë, ekspertiza kriminalistike dhe, në rast nevoje, një autopsi që të japë një përshkrim të plotë e të përpiktë të plagëve si edhe një analizë objektive të konstatimeve klinike, sidomos të shkakut të vdekjes. Çdo mangësi e hetimit që e dobëson aftësinë e tij për të përcaktuar rrethanat e çështjes ose/dhe përgjegjësitë rrezikon të shpjerë në konkluzionin se ai nuk i përgjigjet normës së kërkuar të efektshmërisë (Ahmet Özkan me të tjerë, i cituar më lart, § 312, dhe Issaïeva, i cituar më lart, § 212, si edhe çështjet që citohen atje).
167. Përgjithësisht, mund të thuhet se, në mënyrë që një hetim për një vrasje të paligjshme e cila mendohet se është kryer nga përfaqësues të shtetit të mundë të paraqitet si efektiv, duhet që personat të cilëve ai u është ngarkuar të jenë të pavarur nga personat e përzier në të. Kjo nënkupton jo vetëm mungesën e çdolloj lidhjeje hierarkike apo institucionale, por edhe një pavarësi konkrete (shih, për shembull, Shanaghan, të cituar më lart, § 104). Një kërkesë për moszvarritje dhe shpejtësi të arsyeshme është e vetëkuptueshme në këtë kontekst. Duhet të pranohet se mund të ketë pengesa ose vështirësi që nuk e lënë hetimin të përparojë në një situatë të veçantë. Megjithatë, kur është fjala për të hetuar rreth përdorimit të forcës vdekjeprurëse, një përgjigje e shpejtë e autoriteteve mund të konsiderohet në përgjithësi si thelbësore për të ruajtur besimin e publikut te respektimi i parimit të ligjshmërisë dhe për të mënjanuar çdo dukje të jashtme bashkëfajësie ose tolerance lidhur me veprime të paligjshme. Për të njëjtat arsye, publiku duhet të ketë një të drejtë vëzhgimi të mjaftueshëm mbi hetimin ose mbi konkluzionet e tij, në mënyrë që të mundë të ketë llogaridhënie për përgjegjësinë si në teori ashtu edhe në praktikë. Shkalla e duhur e kontrollit të publikut mund të jetë e ndryshme nga njëra situatë në tjetrën. Në të gjitha rastet, sidoqoftë, të afërmit e viktimës duhet të ftohen të bëhen pjesë e procedurës aq sa të jetë e nevojshme për mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshëm (Ahmet Özkan me të tjerë, i cituar më lart, §§ 311-314, dhe Issaïeva, i cituar më lart, §§ 211‑214, si edhe çështjet që citohen atje).”
c) Rreth pavarësisë së hetimit
i. Njësia e Xhandarmërisë Mbretërore e pranishme në Irak
187. Paditësi e vë në dyshim pavarësinë e njësisë së Xhandarmërisë Mbretërore që ka nisur hetimin, duke sjellë si argument se pjesëtarët e saj ishin të vendosur ngjitur me efektivat e Ushtrisë Mbretërore të cilët ai i fajëson për vdekjen e të birit. Sa për Qeverinë, ajo mbron mendimin se Xhandarmëria Mbretërore ishte mjaft e pavarur.
188. Gjykata shënon se pavarësia e, për rrjedhojë, efektiviteti i hetimit rreth një vrasjeje të supozuar si të paligjshme mund të vihen sërish në pikëpyetje nëse hetuesit dhe personat e vënë në shënjestër nga hetimi mbajnë marrëdhënie të ngushta midis tyre (shih, për krahasim, Ramsahai me të tjerë c. Vendeve të Ulëta [DhM], nr. 52391/99, § 337, GjEDNj 2007‑II).
189. Qeveria nuk e kundërshton se në kohën e ngjarjeve njësia e Xhandarmërisë Mbretërore i ndante kazermat e saj me efektivat e Ushtrisë Mbretërore. Megjithatë, nuk është paraqitur as shfaqur asnjë element që të mundë ta shtyjë Gjykatën për të nxjerrë konkluzionin që kjo rrethanë në vetvete ta ketë cenuar pavarësinë e njësisë së Xhandarmërisë Mbretërore deri në atë pikë sa ta dëmtojë cilësinë e hetimit.
190. Edhe Gjykata nuk e gjykon si të vërtetuar më shumë që, për arsye të distancës gjeografike ndërmjet njësisë së Xhandarmërisë Mbretërore të vendosur në Irak dhe prokurorit të ngarkuar me hetimin – i cili ishte i bazuar në Arnhem – njësia e Xhandarmërisë Mbretërore të jetë gjendur nën vartësinë e komandantit të batalionit të Ushtrisë Mbretërore për çështjet e përditshme. Paditësi nuk ka paraqitur asnjë element prove që të mundë ta mbështesë tezën e tij në këtë drejtim.
ii. Besimi i shtuar për raportet e Xhandarmërisë Mbretërore
191. Paditësi çmon se prokurori është bazuar në një masë të tepruar te raportet e Xhandarmërisë Mbretërore. Qeveria e kundërshton këtë pikë.
192. Prokurorët mbështeten në mënyrë të pashmangshme te policia për të marrë informacione dhe ndihmë. Kjo nuk mjafton në vetvete për të përligjur konkluzionin se atyre u mungon pavarësia ndaj policisë (shih, mutatis mutandis, Ramsahai me të tjerë [DhM], të cituar më lart, § 344).
193. Përveç kësaj, njësia e Xhandarmërisë Mbretërore ishte e pranishme në Irak pikërisht për të kryer aty një veprimtari policore si kjo për të cilën bëhet fjalë këtu. Që prokurori t’u ketë zënë besë raporteve të hartuara prej saj, kjo gjë nuk nge pra, në vetvete, asnjë pikëpyetje.
194. Për mendimin e Gjykatës, thelbi i kësaj ankese është njëlloj sikur të thuhet se hetimi nuk ka qenë efektiv dhe se raportet që kanë dalë prej tij nuk ishin të besueshme. Ajo do t’i marrë në shqyrtim këtu më pas shqetësimet e paditësit lidhur me cilësinë e hetimit të zhvilluar nga Xhandarmëria Mbretërore.
iii. Anëtari ushtarak i Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit
195. Te prania e një oficeri aktiv në gjirin e Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit, paditësi sheh një mungesë pavarësie të kësaj të fundit. Qeveria mbron nga ana e saj mendimin që pavarësia e Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit është e sigurt.
196. Në këtë çështje, Gjykata e ka shqyrtuar përbërjen e Dhomës Ushtarake në tërësi. Kjo e fundit mblidhet në formacion prej tre anëtarësh, konkretisht dy anëtarë civilë të Gjykatës së Apelit të Arnhemit dhe një anëtar ushtarak. Ky i fundit është një oficer madhor që i ka kualifikimet e duhura për të qenë magjistrat; ai ngrihet në mënyrë honorifike në gradën e duhur në Marinë, në Armatën Tokësore ose në Armatën Ajrore në qoftë se nuk e zotëron tashmë efektivisht atë gradë (paragrafi 64 i mësipërm). Në kuadër të funksionit të tij gjyqësor, ai nuk i nënshtrohet autoritetit dhe disiplinës së ushtrisë; për të dhe për gjyqtarët civilë zbatohen të njëjtët rregulla pavarësie funksionale dhe paanësie (paragrafi 65 i mësipërm). Në këto kushte, Gjykata është e prirë të pranojë se Dhoma Ushtarake ofron garanci të mjaftueshme në vështrim të nenit 2 të Konventës.
d) Rreth efektivitetit të hetimit
i. Deponimet e pjesëtarëve të CIDC-së
197. Në kërkesëpadinë e tij, paditësi pretendonte se Xhandarmëria Mbretërore nuk i kishte mbledhur deponimet e pjesëtarëve të CIDC-së që po e ruanin pikën e kontrollit në momentin e të shtënave. Raporti që i është paraqitur Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit vinte në dukje vetëm se këta persona nuk kishin “[dhënë] informacione me rëndësi për çështjen” (paragrafi 25 i mësipërm).
198. Pas heqjes dorë të Dhomës nga juridiksioni i saj në favor të Dhomës së Madhe, Qeveria ka paraqitur një procesverbal zyrtar të marrjes në pyetje të pjesëtarëve të CIDC-së nga oficerë të Xhandarmërisë Mbretërore (paragrafi 38 i mësipërm). Duket se ky dokument përmban informacione të cilat do të kishin qenë eventualisht të dobishme për Dhomën Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit, konkretisht disa saktësime rreth numrit të qitjeve të kryera nga secili ushtarak dhe sasisë së municioneve të mbetura, si edhe një pasqyrim shumë më të hollësishëm të deponimit të dhënë nga interpreti, Z. Walied Abd Al Hussain Madjied.
199. Ashtu siç e ka thënë shumë herë Gjykata, përdorimi i termave “absolutisht i domosdoshëm” që figurojnë në nenin 2 § 2 tregon se duhet të zbatohet një kriter domosdoshmërie më i rreptë e i fortë sesa ai i përdorur normalisht për të përcaktuar nëse ndërhyrja e shtetit është “nevojshme në një shoqëri demokratike” sipas paragrafit 2 të neneve 8 deri 11 të Konventës. Forca e përdorur duhet sidomos të jetë rreptësisht e përpjesëtuar me qëllimet e përmendura në paragrafin 2 a), b) dhe c) të nenit 2 (shih, ndër shumë të tjera, McCann me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, 27 shtator 1995, § 149, seria A nr. 324, Kelly me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 30054/96, § 93, 4 maj 2001, dhe Issaïeva k. Rusisë, nr. 57950/00, § 173, 24 shkurt 2005). Nga kjo rrjedh që asnjë hetim i brendshëm nuk mund t’i përmbushë kërkesat e nenit 2 të Konventës në qoftë se nuk lejon që të verifikohet se forca vdekjeprurëse e përdorur nga përfaqësuesit e shtetit nuk ka shkuar përtej asaj çka kërkohej nga rrethanat (Kaya k. Turqisë, 19 shkurt 1998, § 87, Përmbledhje 1998-I).
200. Ndonëse hetimi duhet të jetë efektiv në kuptimin që ai duhet të bëjë të mundur që të identifikohen e, nëse është rasti, të sanksionohen personat përgjegjës (shih veçanërisht Hugh Jordan k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 24746/94, § 107, GjEDNj 2001‑III, McKerr k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 28883/95, § 113, GjEDNj 2001‑III, Finucane k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 29178/95, § 69, GjEDNj 2003‑VIII, Makaratzis k. Greqisë [DhM], nr. 50385/99, § 74, GjEDNj 2004‑XI, Tahsin Acar k. Turqisë [DhM], nr. 26307/95, § 223, GjEDNj 2004‑III, dhe Giuliani e Gaggio k. Italisë [DhM], nr. 23458/02, § 301, GjEDNj 2011), Gjykata thekson gjithashtu se një hetim i mjaftueshëm për të mbështetur një konstatim gjyqësor rreth pikës nëse forca e përdorur ishte e përligjur apo jo në ato rrethana është vendimtar për ushtrimin e të drejtave të mbrojtjes nga ana e një përfaqësuesi të shtetit të ndjekur në kuadrin e një procedure të mëvonshme penale (shih veçanërisht, mutatis mutandis, Edwards k. Mbretërisë së Bashkuar, 16 dhjetor 1992, § 36, seria A nr. 247‑B, Rowe e Davis k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 28901/95, § 60, GjEDNj 2000‑II, I.J.L. me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 29522/95, 30056/96 e 30574/96, § 112, GjEDNj 2000‑IX, dhe Dowsett k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 39482/98, § 41, GjEDNj 2003‑VII).
201. Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit të Arnhemit i kërkohej të shihte nëse togeri A. kishte vepruar sipas udhëzimeve që i ishin dhënë nga autoriteti kompetent( neni 38 i Kodit Penal Ushtarak – paragrafi 66 i mësipërm). Ato që kishin të bënin me përdorimin e forcës, ashtu siç janë formuluar në kartën e ushtarakut (paragrafi 59 i mësipërm) nën titullin “Forca minimale”, vinin në dukje në paragrafin 14:
“Në qoftë se ju duhet të hapni zjarr, duhet:
– të kryeni vetëm qitje me shënjim;
– të shmangni kryerjen e më shumë të shtënave sesa është e domosdoshme; dhe
– ta pushoni zjarrin sapo këtë ta lejojë situata.”
202. Dhoma Ushtarake e Gjykatës së Apelit është mjaftuar duke e gjykuar si të vërtetuar që togeri A. u ishte kundërpërgjigjur gabimisht disa të shtënave mike të ardhura nga ana tjetër e rrugës dhe duke qenë e mendimit se ai mund sillte për këtë arsye si argument të drejtën e vetëmbrojtjes (paragrafi 48 i mësipërm). Ajo nuk i ka marrë në shqyrtim aspektet lidhur me pikën nëse ai kishte vepruar brenda caqeve të udhëzimeve që i ishin dhënë për sa i përket përpjesëtueshmërisë së përdorimit të forcës. Në veçanti, ajo nuk ka nxjerrë konkluzione rreth pikave nëse ai mos kishte kryer më shumë të shtëna sesa ishte e nevojshme apo nëse të shtënat kishin pushuar sapo që këtë e kishte lejuar situata.
203. Gjykata çmon se, që të mund të bënte një vlerësim i cili u përgjigjet kërkesave të vëna në dukje më sipër, Dhoma Ushtarake e Gjykatës së Apelit të Arnhemit duhej të kishte pasur qasje te procesverbali i pyetjes së pjesëtarëve të CIDC-së të bërë nga oficerët e Xhandarmërisë Mbretërore (paragrafi 38 i mësipërm). Kështu, mungesa e këtij dokumenti në dosjen e Gjykatës së Apelit e ka dëmtuar seriozisht efektshmërinë e shqyrtimit të bërë prej kësaj të fundit.
ii. Marrja në pyetje e Z. Dawoud Joad Kathim
204. Paditësi mbron mendimin se shkurtësia e deponimit të drejtuesit të automjetit, Z. Dawoud Joad Kathim, ashtu siç është marrë nga një hetues i Xhandarmërisë Mbretërore (paragrafi 23 i mësipërm), është gjithashtu një element që duhet të merret parasysh për të gjykuar për cilësinë e hetimit. Ai shton se kishte për më tepër divergjenca midis këtij deponimi dhe atij që i ishte dhënë nga shoferi një përfaqësuesi irakian më vonë gjatë ditës (paragrafi 37 i mësipërm). Qeveria çmon nga ana tjetër se dallimet që mund të ekzistojnë midis dy deponimeve nuk mjaftojnë për të ngjallur dyshime rreth efektivitetit të hetimit.
205. Gjykata është e mendimit se nuk është e mundur të nxirret asnjë konkluzion nga vetë shkurtësia e deponimit të parë të Z. Dawoud Joad Kathim. Mospërputhjet ndërmjet këtij të fundit dhe deponimit të dytë mund të përligjin dyshime për sa i përket besueshmërisë së njërit apo tjetrit nga këto deponime ashtu siç janë regjistruar ato, por vetëm ky element nuk mund ta shpjerë Gjykatën në përfundimin se hetimi ka qenë i papërshtatshëm.
iii. Vonesa për të marrë në pyetje togerin A.
206. Paditësi i tërheq vëmendjen Gjykatës te vonesa për ta marrë në pyetje togerin A. pas të shtënave, periudhë kohore gjatë së cilës ky i fundit nuk qenka veçuar nga dëshmitarët e tjerë. Qeveria pohon se togeri A. nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë drejtim të shtrembër rrjedhës së hetimit.
207. Gjykata vë re se togeri A. është marrë në pyetje vetëm gjashtë orë pas mbërritjes së personelit të Xhandarmërisë Mbretërore në vendin ku janë kryer të shtënat (paragrafi 28 i mësipërm). Edhe pse, siç e nënvizon me të drejtë Qeveria, nuk ka asnjë element që të lërë vend për të menduar që togeri A. (ose ndonjë ushtarak tjetër holandez) të ketë kryer manipulimin më të vogël, ai do ta kishte pasur të gjithë kohën e nevojshme gjatë asaj periudhe për të rënë në ujdi me persona të tjerë për ta shtrembëruar të vërtetën po ta kishte pasur atë qëllim. Asnjë kujdes nuk duket të jetë treguar për të shmangur që të ndodhte diçka e tillë.
208. Ashtu si në çështjen Ramsahai me të tjerë [DhM] (të cituar më lart), Gjykata çmon se thjesht fakti që të mos jenë marrë masat e duhura për ta zvogëluar rrezikun e një ujdie të tillë përbën një mangësi që mund ta dëmtojë përshtatshmërinë e hetimit (idem, § 330).
iv. Lista e pjesëtarëve të CIDC-së që kanë qëlluar me armët e tyre
209. Sipas paditësit, togerit A. iu dorëzua nga zëvendëskomandanti i CIDC-së një listë ku tregoheshin emrat e pjesëtarëve të CIDC-së që kishin hapur zjarr me armët e tyre si edhe numri përkatës i fishekëve të zbrazur (paragrafi 31 i mësipërm).
210. Për Gjykatën, fakti që togeri A. të ketë mundur ta merrte atë listë nuk ngre në vetvete asnjë pikëpyetje. Deri në mbërritjen e komandantit të kompanisë, togeri A. ishte oficeri i Koalicionit që mbante gradën më të lartë aty dhe ai ishte përveç kësaj përgjegjës jo vetëm i patrullës holandeze por edhe i pjesëtarëve të pranishëm të CIDC-së. Prandaj, atij i takonte për detyrë të merrte masa me qëllim për ta lehtësuar hetimin.
211. Por nga ana tjetër, përderisa disponohej, kjo listë ishte dashur të përfshihej në dosje. Informacionet që përmbante ajo mund të kishin dalë të dobishme, veçanërisht për një ballafaqim me deponimet e dhëna prej vetë pjesëtarëve të CIDC-së. Gjykata çmon se hetimi ka qenë i mangët në këtë drejtim.
v. Autopsia
212. Paditësi ankohet për kushtet në të cilat është realizuar autopsia si edhe për raportin e dalë prej saj. Për mendimin e Qeverisë, autopsia ka qenë aq efektive sa ka mundur të ishte në rrethanat e çështjes në fjalë.
213. Gjykata vë re se autopsia duket se është bërë në mungesë të çdo personi përgjegjës holandez të kualifikuar. Madje, nuk dihet asgjë për kualifikimet e mjekut irakian që e ka realizuar atë.
214. Përveç kësaj, raporti i mjekut paraqet mangësi serioze. Tejet i shkurtër, ai nuk ka saktësime dhe nuk përmban as fotografi.
215. Më në përgjithësi, duket se nuk është marrë parasysh asnjë mundësi zgjidhjeje tjetër për autopsinë. Nuk është e pamundur, për shembull, që njëra nga fuqitë pushtuese, madje që të dyja, ose edhe ndonjë fuqi tjetër e Koalicionit të kishin instalime të përshtatshme dhe personel të kualifikuar.
216. Gjykata çmon për rrjedhojë se hetimi ka qenë me mangësi edhe në këtë pikë.
vi. Copëzat e plumbave
217. Paditësi ankohet për mungesën e një raporti të hollësishëm rreth ekzaminimit që mund t’u jetë bërë eventualisht copëzave të plumbave. Qeveria çmon nga ana e saj se kjo gjë nuk e ka bërë më pak të përshtatshëm hetimin.
218. Gjykata vë re se nga trupi i Z. Azhar Sabah Jaloud janë nxjerrë disa copëza metalike të identifikuara si copëza plumbash. Mirëpo hetuesit holandezë duket se e kanë humbur që prej asaj kohe çdolloj gjurme të këtyre provave (paragrafi 36 i mësipërm).
219. Sado që copëzat e plumbave të kishin pasur ose jo mundësi për të dhënë informacione të dobishme, Gjykata e gjykon si të papranueshme që ato të mos jenë ruajtur e ekzaminuar në kushte të mira, qoftë edhe në Vendet e Ulëta në rast nevoje.
220. Ajo nxjerr konkluzionin se edhe rreth kësaj pike hetimi ka qenë gjithashtu i papërshtatshëm.
e) Rreth pretendimit se paditësi nuk është ftuar të bëhet pjesë e hetimit
221. Paditësi pohon se nuk është ndërmarrë asgjë për të marrë kontakt me të afërmit e të ndjerit.
222. Qeveria përgjigjet se hetuesit e Xhandarmërisë Mbretërore holandeze kanë folur me paditësin e me të afërm të tjerë me rastin e autopsisë, por se ata janë larguar në një çast kur atyre po u dukej se familja po bëhej gati për t’i marrë si pengje.
223. Paditësi e kundërshton versionin e Qeverisë, për më tepër të pavërtetueshëm sipas tij, meqenëse nuk është paraqitur asnjë raportim me shkrim.
224. Pavarësisht nga vërtetësia e njërit version apo tjetrit, Gjykata e çmon si të vërtetuar që paditësit, me kërkesën e tij, i është dhënë qasje në dosjen e hetimit, të cilën në fakt ai ka mundur t’ia paraqesë Gjykatës. Kjo qasje në dosje ka qenë madje e mjaftueshme për t’i dhënë mundësi të interesuarit që të niste mbi bazën e nenit 12 të Kodit të Procedurës Penale një procedurë në kuadrin e së cilës ai ka mundur të kundërshtojë në mënyrë shumë efektive vendimin për të mos nisur ndjekje penale kundër togerit A.
225. Për rrjedhojë, Gjykata nuk dallon asnjë element që tregon se procedura paska qenë me mangësi rreth kësaj pike (Ramsahai me të tjerë [DhM], i cituar më lart, §§ 349-350).
f) Përfundimi
226. Gjykata është e prirë që t’i marrë parasysh në mënyrë të arsyeshme kushtet relativisht të vështira në të cilat u është dashur të punojnë ushtarakëve dhe hetuesve holandezë. Duhet të pranohet në veçanti se ata ishin të mobilizuar në një vend të huaj i cili mbetej për t’u rindërtuar pas veprimeve luftarake, të cilit ata nuk i njihnin as gjuhën, as kulturën dhe në popullsinë e të cilit kishte qartazi elementë armiqësorë të armatosur (dëshmon për këtë shkëmbimi i parë i zjarrit i datë 21 prill 2004 – paragrafi 10 i mësipërm).
227. Megjithatë, Gjykata është e detyruar që të dalë në përfundimin se hetimi për rrethanat e vdekjes së Z. Azhar Sabah Jaloud nuk i ka përmbushur kërkesat që rrjedhin nga neni 2 i Konventës, dhe kjo për arsyet e mëposhtme: së pari, disa dokumente të cilat përmbanin informacione të rëndësishme nuk iu përcollën autoriteteve gjyqësore dhe paditësit (procesverbali zyrtar i deponimeve të mbledhura pranë pjesëtarëve të CIDC-së dhe lista, e marrë nga togeri A., që tregonte se cilët pjesëtarë të CIDC-së kishin hapur zjarr me armët e tyre si edhe numrin e fishekëve të zbrazur nga secili prej tyre); së dyti, nuk u morr asnjë masë për të parandaluar, përpara marrjes në pyetje të togerit A., çdo mundësi ujdie ndërmjet këtij të fundit dhe dëshmitarëve të tjerë të ngjarjeve; së treti, asgjë nuk u ndërmor në mënyrë që autopsia të mundte të kryhej në kushte të denja për një hetim rreth përgjegjësisë penale eventuale të një përfaqësuesi të shtetit dhe raporti i autopsisë ka qenë për më tepër i pamjaftueshëm; së katërti, disa prova të rëndësishme materiale – copëza plumbash të nxjerra nga kufoma – u humbën në rrethana të pasqaruara. Edhe duke i marrë parasysh kushtet veçanërisht të vështira që mbizotëronin në Irak në kohën e ngjarjeve, Gjykata nuk mund të dalë në përfundimin se këto mangësi ishin të pashmangshme.
228. Mangësitë e sipërpërmendura e bëjnë Gjykatën të konstatojë se nuk janë përmbushur detyrimet procedurale që rrjedhin nga neni 2 i Konventës.
II. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
229. Në bazë nenit 41 të Konventës,
“Kur Gjykata konstaton shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe në qoftë se e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese mundëson vetëm ndreqjen e pjesshme të pasojave që kanë rrjedhur nga kjo shkelje, Gjykata, kur ka vend, i cakton palës së dëmtuar një shpërblim të drejtë.”
230. Paditësi ka paraqitur pretendime për dëm moral dhe për kosto e shpenzime.
231. Qeveria ndërhyrëse nuk ka bërë komente rreth kërkesave të formuluara nga paditësi në lidhje me shpërblimin e drejtë.
A. Dëmi
232. Paditësi i lutet Gjykatës që ta urdhërojë Qeverinë “për të ndrequr shkeljet e nenit 2 që kanë ndodhur, duke kryer brenda mundësive një hetim të ri – të thelluar – rreth vdekjes së [të] birit, për t’i ndjekur penalisht personat e përzier dhe për ta mbajtur paditësin plotësisht të informuar për hetimin si edhe për ndjekjet penale, nëse është rasti”. Nga ana tjetër, ai kërkon 25 000 euro (EUR) për dëmin moral.
233. Qeveria e paditur çmon se një urdhër i tillë si ai i kërkuar nga paditësi do të ishte i papërshtatshëm. Ajo ia lë në dorë Gjykatës që ta caktojë shumën e një zhdëmtimi eventual për t’iu paguar të interesuarit, duke vënë njëkohësisht në dukje se shumat e dhëna në çështjen Al-Skeini me të tjerë ishin më të vogla se ato që janë kërkuar në këtë çështje.
234. Për sa i përket kërkesës së paditësit që të urdhërohet një hetim efektiv i pasuar nga ndjekje penale, Gjykata rikujton parimin e përgjithshëm se shteti i paditur mbetet i lirë për t’i zgjedhur mjetet për të përmbushur detyrimin e tij juridik në vështrim të nenit 46 të Konventës, me kusht që këto mjete të jenë të pajtueshme me konkluzionet që përmban vendimi i Gjykatës; ajo rikujton gjithashtu se vetëm rrethana të jashtëzakonshme mund ta shtyjnë atë që të tregojë se cilat janë masat që duhet të merren (shih, për shembull, Assanidzé k. Gjeorgjisë [DhM], nr. 71503/01, §§ 202-203, GjEDNj 2004‑II, dhe Hutten-Czapska k. Polonisë [DhM], nr. 35014/97, §§ 238-239, GjEDNj 2006‑VIII). Për pasojë, ajo është e mendimit se i takon Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që, në bazë të nenit 46 të Konventës, të vendosë se cilat masa, në rast nevoje, duhet të merren konkretisht në kuadrin e zbatimit të vendimit të dhënë prej saj (shih, ndër shumë të tjera, Al-Skeini me të tjerë, të cituar më lart, § 181).
235. Lidhur me pretendimet në të holla, Gjykata vëren se te Al-Skeini me të tjerë – që kishte të bënte gjithashtu me një shkelje të nenit 2 në anën e tij procedurale – ajo u ka caktuar paditësve ato shuma që ata kishin kërkuar (po aty, § 182). Në këtë çështje, ajo e gjykon si të drejtë që t’i japë paditësit shumën e kërkuar prej tij, ose 25 000 EUR.
B. Kosto dhe shpenzime
236. Paditësi kërkon një shumë të përgjithshme prej 13 200 EUR që u përgjigjet 120 orëve pune të kryer nga avokatët e tij. Ai deklaron megjithatë se ka kërkuar ndihmën e brendshme juridike dhe se nuk do t’u përmbahet pretendimeve të tij në qoftë se i jepet kjo e fundit.
237. I interesuari ka paraqitur një tabelë plotësuese ku tregohen shpenzimet e udhëtimit e të qëndrimit të paguara nga dy avokatët e tij me rastin e pjesëmarrjes së tyre në seancë, si edhe shpenzimet postare të shkaktuara nga kjo çështje. Shuma e këtyre shpenzimeve, të dokumentuara, arrin në 1 372,06 EUR.
238. Qeveria e paditur mbron mendimin se nuk lind asnjë problem në qoftë se shumat e kërkuara mbulohen nga ndihma e brendshme juridike, dhe ajo nuk pranon të bëjë asnjë koment rreth shumës shtesë.
239. Paditësi nuk e ka informuar Gjykatën se ndihma e brendshme juridike ishte refuzuar për sa i përket shumës së përmendur në paragrafin 236 të mësipërm. Për këtë arsye, Gjykata nuk mund ta vërtetojë që ajo ka të bëjë me shpenzime “të kryera realisht”. Pra, lidhur me këtë nuk mund të caktohet asnjë shumë.
240. Gjykata e pranon në tërësinë e saj kërkesën shtesë të parashtruar në paragrafin 237.
C. Kamatëvonesat
241. Gjykata e gjykon si të përshtatshme që ta bazojë përqindjen e kamatëvonesave te përqindja e interesit të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane, të rritur me tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
1. E bashkon me themelin kërkesën e Qeverisë për prapësim paraprak;
2. E deklaron kërkesëpadinë të pranueshme;
3. Thotë se Z. Azhar Sabah Jaloud i përkiste juridiksionit të shtetit të paditur dhe e rrëzon kërkesën e Qeverisë për prapësim paraprak;
4. Thotë se ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës në anën e tij procedurale;
5. Thotë
a) se shteti i paditur duhet t’i paguajë paditësit, brenda tre muajsh, 25 000 EUR (njëzet e pesë mijë euro) plus çdo shumë që mund të duhet si tatim ose si taksë mbi këtë shumë, për dëm moral;
b) se shteti i paditur duhet t’i paguajë paditësit, brenda tre muajsh, 1 372,06 EUR (një mijë e treqind e shtatëdhjetë e dy euro e gjashtë cent), plus çdo shumë që mund t’i duhet të interesuarit ta paguajë si tatim ose si taksë mbi këtë shumë, për kosto e shpenzime;
c) se, duke nisur nga përfundimi i afatit të lartpërmendur e deri në derdhjen e tyre, këto shuma do të shtohen me një interes të thjeshtë në përqindje të barabartë me atë të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, të shtuar me tri pikë përqindjeje;
6. Rrëzon kërkesën për çdo shtesë si shpërblim i drejtë.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 20 nëntor 2014.
Michael O’BoyleDean Spielmann
SekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i gjyqtarit Spielmann, me të cilin bashkohet gjyqtari Raimondi;
– mendim pajtues i përbashkët për gjyqtarët Casadevall, Berro-Lefèvre, Šikuta, Hirvelä, López Guerra, Sajó dhe Silvis ;
– mendim pajtues i gjyqtares Motoc.
D.S.
M.O’B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Në fakt 7,62 x 39 mm.
[2]. Transliterim në holandisht.
[3]. Mbretëria e Vendeve të Ulëta përbëhet nga “vende” autonome. Në kohën e ngjarjeve, fjala ishte për Mbretërinë në Evropë (Vendet e Ulëta të mirëfillta) si edhe për ishullin e Arubës e për Antilet Holandeze (territore që ndodhen në Karaibe).
Full & Egal Universal Law Academy