© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 179
Nëntor 2014
Jaloud k. Vendeve të Ulëta [DhM] - 47708/08
Vendim 20.11.2014 [DhM]
Neni 1
Juridiksioni i shteteve
Juridiksioni territorial në kontekstin e vdekjes së një shtetasi irakian që qenka vrarë nga një ushtarak holandez, pjesëtar i Forcës së Stabilizimit në Irak
Neni 2
Detyrimet pozitive
Neni 2-1
Hetim efektiv
Mungesa e një hetimi efektiv rreth të shtënave vdekjeprurëse që qenkan kryer nga forcat holandeze në një pikë kontrolli të automjeteve të ndodhur në pjesën jugore të Irakut: shkelje
Faktet – Nga korriku 2003 deri në mars 2005, në Forcën e Stabilizimit në Irak morën pjesë, me batalione, disa trupa holandeze. Të stacionuara në pjesën juglindore të Irakut, ato ishin pjesë e Divizionit Shumëkombësh Juglindje (DMN-SE), të vendosur nën komandën e një oficeri të forcave të armatosura britanike. Pjesëmarrja e forcave holandeze në DMN-SE udhëhiqej nga një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, të cilit i ishin shtuar në aneks Rregullat e Angazhimit në Luftim. Të dyja këto dokumente ishin të klasifikuara si “sekret”.
Paditësi është i ati i një shtetasi irakian që humbi jetën në prill 2004 për shkak të disa plagëve nga plumba të marra ndërkohë që automjeti ku ndodhej si pasagjer u qëllua me disa të shtëna pasi kishte kaluar me shpejtësi një pikë kontrolli të automjeteve. Kjo pikë kontrolli mbahej në atë kohë nga pjesëtarë të Korpusit Irakian të Mbrojtjes Civile (CIDC), të cilëve u ishte bashkuar një patrullë ushtarakësh holandezë, të mbërritur aty pasi pika e kontrollit ishte vënë në shënjestër nga një automjet tjetër, disa minuta përpara incidentit që i kishte kushtuar jetën të birit të paditësit. Një prej ushtarakëve holandezë e pranoi se kishte shtënë disa herë mbi automjetin ku ndodhej i biri i paditësit, por pohoi se kishte vepruar në situatë vetëmbrojtjeje duke besuar se e kishin vënë atë vetë në shënjestër nga automjeti. Në përfundim të një hetimi të Xhandarmërisë Mbretërore (degë e Forcave të Armatosura Holandeze), prokurori ushtarak mbërriti në konkluzionin se i biri i paditësit kishte të ngjarë të ishte goditur nga një plumb irakian dhe se ushtaraku holandez kishte vepruar në situatë vetëmbrojtjeje. Ai vendosi kështu që ta mbyllte hetimin. Dhoma Ushtarake e Gjykatës së Apelit e ka lënë në fuqi atë vendim, duke qenë e mendimit se ushtaraku në fjalë u ishte kundërpërgjigjur disa të shtënave mike duke menduar se bëhej fjalë për të shtëna që vinin nga brenda automjetit, se në ato kushte ai kishte vepruar brenda caqeve të udhëzimeve të marra dhe se vendimi për të mos nisur ndjekje penale kundër tij ishte i përligjur.
Në kërkesëpadinë e tij pranë Gjykatës Evropiane, paditësi pretendon nën këndvështrimin e nenit 2 të Konventës se hetimi nuk ka qenë aq i pavarur dhe efektiv sa duhet. Më 9 korrik 2013, një dhomë e Gjykatës ka hequr dorë nga juridiksioni i saj në favor të Dhomës së Madhe.
Ligji – Neni 1 (juridiksioni): Qeveria paraqet një prapësim paraprak, duke mbrojtur mendimin se ankesat e paditësit nuk i përkasin juridiksionit territorial të Vendeve të Ulëta përderisa autoriteti qenka ushtruar nga të tjerë: ose nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, të përcaktuara si “fuqi pushtuese” nga Rezoluta 1483 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ose vetëm nga Mbretëria e Bashkuar si “komb kryesues” në pjesën juglindore të Irakut, i cili e paska komanduar kontingjentin holandez të SFIR-së.
Duke e hedhur poshtë këtë argument, Gjykata vëren se zbatimi nga një Shtet Kontraktues i një vendimi apo urdhri të lëshuar nga autoriteti i një shteti të huaj nuk mjafton në vetvete për ta çliruar atë nga detyrimet e tij që rrjedhin prej Konventës. Vendet e Ulëta nuk i kanë shpëtuar “juridiksionit” të tyre për faktin e thjeshtë që kanë pranuar kontrollin operativ të një komandanti britanik. Edhe nëse forcat të cilat u përkisnin kombeve që nuk ishin “kombe kryesuese” i merrnin udhëzimet e tyre nga komandantë të huaj, përkufizimi i orientimeve kryesore – sidomos, brenda caqeve të miratuara në trajtën e Rregullave të Angazhimit në Luftim që u aneksoheshin Memorandumeve përkatëse të Mirëkuptimit, hartimi i rregullave më vete lidhur me përdorimin e forcës – mbetej fusha e rezervuar e secilit shtet dërgues kontingjenti. Vendet e Ulëta kishin përgjegjësinë për të garantuar sigurinë në zonën ku ishin bazuar trupat e tyre, duke bërë përjashtim nga shtetet e tjera pjesëmarrëse, dhe ato ruanin atje komandën e plotë mbi kontingjentin e tyre. Përcaktues nuk është as fakti që pika e kontrollit ku kanë ndodhur të shtënat mbahej formalisht nga pjesëtarë të CIDC-së, sepse ky i fundit ishte i vendosur nën mbikëqyrjen dhe autoritetin e oficerëve të Forcave të Koalicionit. Për këtë arsye, forcat holandeze nuk ishin në dispozicion të një fuqie të huaj, as nën drejtimin dhe kontrollin ekskluziv të cilitdo shtet tjetër.
Të shtënat vdekjeprurëse kanë ndodhur në një pikë kontrolli të mbajtur nga një personel i vënë nën komandën e mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të një oficeri të ushtrisë holandeze, post kontrolli që ishte ngritur në kuadër të zbatimit të misionit të SFIR-së të parashikuar nga Rezoluta 1483 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kështu që ato kanë ndodhur në kuadrin e “juridiksionit” të Vendeve të Ulëta.
Përfundimi: rrëzohet prapësimi paraprak (njëzëri).
Neni 2 (ana procedurale): Gjykata e mënjanon argumentin e paditësit se hetimi nuk ka qenë aq i pavarur sa duhet. Asgjë nuk tregon që fakti që një njësi e Xhandarmërisë Mbretërore, e cila e ka nisur hetimin, i ndante kazermat e saj me efektivat e ushtrisë, të cilët paditësi i fajëson për vdekjen, ta ketë cenuar në vetvete pavarësinë e njësisë në fjalë deri në atë pikë sa ta dëmtojnë cilësinë e hetimit. Po ashtu, fakti që prokurori mund të jetë mbështetur gjerësisht te raportet e Xhandarmërisë Mbretërore nuk ngre ndonjë pikëpyetje, sepse prokurorët mbështeten në mënyrë të pashmangshme te policia për të marrë informacione dhe ndihmë. Lidhur me praninë e një oficeri aktiv në gjirin e Dhomës Ushtarake të Gjykatës së Apelit e cila ka lënë në fuqi vendimin për të mos e ndjekur penalisht oficerin holandez që kishte shtënë mbi automjetin, Gjykata vëren se Dhoma Ushtarake përbëhet nga dy anëtarë civilë të Gjykatës së Apelit dhe një anëtar ushtarak. Ky i fundit është një oficer madhor që i ka kualifikimet e duhura për të qenë magjistrat, ai nuk i nënshtrohet autoritetit dhe disiplinës së ushtrisë, dhe të njëjtët rregulla pavarësie funksionale dhe paanësie zbatohen për të dhe për gjyqtarët civilë. Dhoma Ushtarake ofron pra garanci të mjaftueshme pavarësie në vështrim të nenit 2 të Konventës.
Mirëpo, për sa i përket efektivitetit, Gjykata çmon se hetimi është karakterizuar nga një numër i caktuar mangësish. Në veçanti, Dhoma Ushtarake e Gjykatës së Apelit është mjaftuar duke e gjykuar si të vërtetuar se oficeri autor i të shtënave kishte vepruar në situatë vetëmbrojtjeje, duke iu kundërpërgjigjur gabimisht disa të shtënave mike të ardhura nga ana tjetër e rrugës; ajo nuk i ka marrë në shqyrtim disa aspekte që kanë të bëjnë me përpjesëtueshmërinë e përdorimit të forcës, veçanërisht rreth pikave nëse ai mos kishte kryer më shumë të shtëna sesa ishte e nevojshme dhe nëse të shtënat kishin pushuar sapo që këtë e kishte lejuar situata. Nga ana tjetër, disa dokumente që përmbanin informacione potencialisht të rëndësishme në këtë drejtim nuk iu përcollën në atë kohë Dhomës Ushtarake. Kështu, procesverbali zyrtar i deponimeve të mbledhura pranë pjesëtarëve të CIDC-së që ruanin pikën e kontrollit në çastin e të shtënave dhe lista e pjesëtarëve të CIDC-së që kishin hapur zjarr me armët e tyre nuk u përfshinë në dosje.
Përveç kësaj, oficeri autor i të shtënave është marrë në pyetje vetëm gjashtë orë pas të shtënave. Ndonëse asnjë element nuk lë vend për të menduar që të ketë pasur manipulimin më të vogël, fakti që të mos jenë marrë masat e duhura për ta zvogëluar rrezikun e një ujdie mes tij dhe dëshmitarëve të tjerë përbën gjithashtu një mangësi. Për sa i përket autopsisë, ajo është bërë në mungesë të çdo personi përgjegjës holandez të kualifikuar. Raporti i mjekut është tejet i shkurtër, nuk ka saktësime dhe nuk përmban fotografi. Së fundi, copëzat metalike të identifikuara se ishin copëza plumbash të nxjerra nga trupi – prova materiale potencialisht të rëndësishme – nuk janë ruajtur e ekzaminuar në kushte të mira dhe pastaj janë humbur në rrethana të pasqaruara.
Me pak fjalë, hetimi për rrethanat e vdekjes nuk i ka përmbushur kërkesat që rrjedhin nga neni 2 i Konventës, dhe kjo për arsyet e mëposhtme: disa dokumente që përmbanin informacione të rëndësishme nuk iu përcollën autoriteteve gjyqësore dhe paditësit; nuk u morr asnjë masë për të parandaluar, përpara marrjes në pyetje të oficerit autor të të shtënave, çdo mundësi ujdie ndërmjet këtij të fundit dhe dëshmitarëve të tjerë; asgjë nuk u ndërmor në mënyrë që autopsia të mund të kryhej në kushte të denja për një hetim rreth përgjegjësisë penale eventuale të një përfaqësuesi të shtetit dhe raporti i autopsisë ka qenë për më tepër i pamjaftueshëm; së fundi, disa prova të rëndësishme materiale u humbën në rrethana të pasqaruara. Edhe duke i marrë parasysh kushtet veçanërisht të vështira që mbizotëronin në Irak në kohën e ngjarjeve, Gjykata nuk mund të konsiderojë që këto mangësi ishin të pashmangshme.
Përfundimi: shkelje (njëzëri).
Neni 41 : 25 000 EUR për dëmin moral.
(Shih gjithashtu Al-Skeini me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], 55721/07, 7 korrik 2011, Shënim informativ 143 ; Hassan k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], 29750/09, 16 shtator 2014, Shënim informativ 177; si edhe skedën tematike rreth juridiksionit eksterritorial të Shteteve Palë në Konventë)
© Këshilli i Evropës /Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
E hartuar nga sekretaria, kjo përmbledhje nuk e kushtëzon Gjykatën.
Klikoni këtu për të hyrë te Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy