© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA JANOWIEC ME TË TJERË k. RUSISË
(Kërkesëpaditë nr. 55508/07 dhe nr. 29520/09)
VENDIM
STRASBURG
21 tetor 2013
Ky vendim është bërë i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Janowiec me të tjerë k. Rusisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Josep Casadevall, kryetar,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Corneliu Bîrsan,
Peer Lorenzen,
Alvina Gyulumyan,
Khanlar Hajiyev,
Dragoljub Popović,
Luis López Guerra,
Kristina Pardalos,
Vincent A. de Gaetano,
Julia Laffranque,
Helen Keller,
Helena Jäderblom,
Krzysztof Wojtyczek,
Dmitry Dedov, gjyqtarë,
e nga Erik Fribergh, sekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në seancë të mbyllur më 13 shkurt dhe më 5 shtator 2013,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhen dy kërkesëpadi (nr. 55508/07 dhe nr. 29520/09) të ngritura kundër Federatës së Rusisë e me anë të të cilave pesëmbëdhjetë shtetas polakë (“paditësit”) i janë drejtuar Gjykatës përkatësisht më 19 nëntor 2007 dhe më 24 maj 2009 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësit, emrat e të cilëve përmenden në paragrafët 25 deri 27 të mëposhtëm, banojnë në Poloni ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ztë Janowiec dhe Trybowski janë përfaqësuar në Gjykatë nga Z. J. Szewczyk, avokat polak që e ushtron profesionin në Varshavë. Paditësit e tjerë janë përfaqësuar nga Z. I. Kamiński, profesor në Institutin e Studimeve Juridike, Ztë R. Nowosielski dhe B. Sochański, avokatë polakë që e ushtrojnë profesionin përkatësisht në Gdansk e në Shçeçin, si edhe nga Z. R. Karpinskiy e Znja A. Stavitskaya, avokatë rusë që e ushtrojnë profesionin në Moskë.
3. Qeveria ruse (“Qeveria”) është përfaqësuar nga Z. G. Matyushkin, përfaqësues i Federatës së Rusisë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
4. Qeveria polake, e cila e ka ushtruar të drejtën e saj për të ndërhyrë në procedurë ashtu siç e lejon neni 36 § 1 i Konventës, është përfaqësuar fillimisht prej agjentit të saj, Z. J. Wołąsiewicz, nga Ministria e Punëve të Jashtme, pastaj nga bashkagjentja e tij, Znja A. Mężykowska.
5. Kërkesëpaditë i janë caktuar Seksionit të Pestë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës – “Rregullorja”). Më 7 tetor 2008 dhe më 24 nëntor 2009, kryetari i Seksionit ka vendosur t’ua bëjë ato të ditura qeverisë ruse dhe asaj polake. Është vendosur gjithashtu që këto kërkesa të trajtohen me përparësi sipas nenit 41 të Rregullores.
6. Me një vendim të 5 korrikut 2011, Gjykata i ka bashkuar kërkesat. Ajo ka vendosur përveç kësaj që ta bashkojë me themelin prapësimin për mungesë kompetence ratione temporis të formuluar nga Qeveria lidhur me pretendimin e ngritur në këndvështrimin e anës procedurale të nenit 2 të Konventës dhe i ka shpallur kërkesëpaditë pjesërisht të pranueshme.
7. Më 16 prill 2012, një dhomë e Seksionit të Pestë e përbërë nga gjyqtarët Dean Spielmann, kryetar, Karel Jungwiert, Boštjan M. Zupančič, Anatoly Kovler, Mark Villiger, Ganna Yudkivska dhe Angelika Nußberger, ka dhënë vendimin e saj. Me katër vota në favor dhe tri kundër, ajo e ka shpallur veten jo kompetente për të marrë vendim në themel rreth pretendimit të ngritur në fushën e nenit 2; me pesë vota në favor dhe dy kundër, ajo ka nxjerrë si përfundim se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës ndaj dhjetë paditësve dhe, njëzëri, ajo ka dalë në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të kësaj dispozite ndaj paditësve të tjerë. Gjithashtu, me katër vota në favor dhe tri kundër, ajo ka gjykuar se Qeveria nuk i ka përmbushur detyrimet që rrjedhin për të nga neni 38 i Konventës.
8. Më 5 korrik 2012, paditësit kanë kërkuar që çështja t’i kalohet Dhomës së Madhe në bazë të neneve 43 te Konventës dhe 73 të Rregullores. Më 24 shtator 2012, një kolegj i Dhomës së Madhe i ka dhënë të drejtë kësaj kërkese.
9. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores.
10. Si paditësit ashtu edhe qeveria kanë paraqitur nga një promemorie në Dhomën e Madhe.
11. Më pas, në bazë të nenit 36 § 2 të Konventës, kryetari i Dhomës së Madhe i ka lejuar organizatat e mëposhtme që të paraqesin vërejtje me shkrim në cilësinë e palëve të treta: Open Society Justice Initiative, Amnesty International dhe Public International Law and Policy Group. Një grup prej tri organizatash joqeveritare – Memorial, European Human Rights Advocacy Centre dhe Transitional Justice Network – është lejuar gjithashtu të paraqesë vërejtje të përbashkëta me shkrim nga palë e tretë.
12. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 13 shkurt 2013 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për qeverinë e paditur
ZtëG. Matyushkin,agjent,
N. Mikhaylov,
P. Smirnov,këshilltarë;
– për paditësit
ZtëJ. Szewczyk
I. Kamiński,
B. Sochański,avokatë;
– për qeverinë polake
Z.M. Szpunar, zëvendësministër i Punëve të Jashtme,
ZnjaA. Mężykowska, bashkagjente,
Z.W. Schabas, këshilltar.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Zve Szewczyk, Kamiński e Sochański për paditësit, Z. Matyushkin për qeverinë e paditur, dhe Znjën Mężykowska për qeverinë polake.
FAKTET
I. RRETANAT E ÇËSHTJES
13. Ashtu siç janë parashtruar ose pranuar nga palët, faktet e çështjes mund të përmblidhen kështu.
A. Konteksti
14. Më 23 gusht 1939, ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik dhe të Gjermanisë naziste nënshkruan një traktat mossulmimi, “Paktin Molotov-Ribbentrop”, i cili përmbante një protokoll shtesë të fshehtë nëpërmjet të të cilit palët binin në ujdi për “çështjen e ndarjes së sferave të tyre përkatëse të influencës në Evropën Lindore”. Në veçanti, aty ishte nxjerrë ky përfundim:
“2. Në rastin e një riorganizimi territorial e politik të zonave që i përkasin shtetit polak, sferat e influencës së Gjermanisë dhe të BRSS-së do të ndahen përafërsisht nga lumenjtë Narev, Vistula dhe San.”
15. Më 1 shtator 1939, Gjermania e pushtoi Poloninë, duke shpërthyer Luftën e Dytë Botërore. Më 17 shtator 1939, Ushtria e Kuqe sovjetike, me shpjegimin se shteti polak ishte shembur për shkak të sulmit gjerman dhe nuk ishte më në gjendje ta garantonte sigurinë e qytetarëve të vet, depërtoi në territorin polak me qëllimin e shpallur për mbrojtjen e ukrainasve e të bjellorusëve që banonin në pjesën lindore të Polonisë. Ushtria polake nuk bëri kurrfarë qëndrese të armatosur. BRSS-ja i aneksoi territoret që ranë nën kontrollin e saj dhe deklaroi në nëntor 1939 se 13,5 milionë qytetarët polakë që ndodheshin me vendbanim aty ishin tani e tutje qytetarë sovjetikë.
16. Si pasojë e përparimit të Ushtrisë së Kuqe, rreth 250 000 ushtarë, kufitarë, policë, roje burgu, funksionarë të shtetit dhe nëpunës të tjerë publikë polakë u arrestuan. Pasi u çarmatosën, disa prej tyre u lanë të lirë; të tjerë u dërguan nëpër kampe të posaçme internimi të krijuara nga NKVD-ja (Komisariati i Popullit i Punëve të Brendshme, një prej organizmave që i paraprinë KGB-së) në Kozelsk, Ostashkov dhe Starobelsk. Më 9 tetor 1939, u vendos që trupa e oficerëve polakë do të qëndronte në kampet e Kozelskut e të Starobelskut, kurse pjesa tjetër e funksionarëve, ndër të cilët policët e rojet e burgut, në Ostashkov.
17. Në fillim të muajit mars 1940, L. Beria, kreu i NKVD-së, i paraqiti J. Stalinit, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (“PKBS”), një kërkesë për të miratuar një propozim për ekzekutimin e robërve polakë të luftës me arsyetimin se ata ishin të gjithë “armiq të autoriteteve sovjetike të mbrujtur me urrejtje ndaj sistemit sovjetik” e se ata “kërkonin t’i vazhdonin manovrat e tyre [kundërrevolucionare]” dhe të “bënin agjitacion antisovjetik”. Në këtë propozim saktësohej se në kampet e robërve të luftës kishte 14 736 ish-oficerë të ushtrisë e të policisë, mbi 97% të të cilëve ishin me kombësi polake, dhe se në burgjet e krahinave që ndodheshin në perëndim të Ukrainës e të Bjellorusisë mbaheshin edhe 10 685 polakë të tjerë.
18. Më 5 mars 1940, Byroja Politike (Politbyroja) e Komitetit Qendror të PKBS-së e shqyrtoi propozimin dhe vendosi kështu:
“[Politbyroja]
I. I jep udhëzimin e mëposhtëm NKVD-së së BRSS-së:
1. Rastet e 14 700 personave që qëndrojnë në kampet e robërve të luftës (ish-oficerë të ushtrisë, funksionarë, pronarë tokash, policë, agjentë të zbulimit, policë ushtarakë, kolonë e roje burgu polakë),
2. dhe rastet e personave të arrestuar e që qëndrojnë në burgjet e krahinave në perëndim të Ukrainës e të Bjellorusisë, gjithsej 11 000 (pjesëtarë organizmash të ndryshme kundërrevolucionare spiunazhi e sabotimi, ish-pronarë tokash, pronarë fabrikash, ish-oficerë të ushtrisë polake, nëpunës e të arratisur), duhet të shqyrtohen në kuadër të një procedure të posaçme, dhe këta persona duhet të dënohen me vdekje – [ekzekutim] me plumba.
II. Këto raste duhet të trajtohen pa i thirrur robërit, pa i njoftuar akuzat dhe pa ua bërë atyre të ditur as konkluzionin më të vogël për rezultatin e hetimit, as aktakuzat, dhe kjo sipas modaliteteve të mëposhtme:
a) për personat që qëndrojnë në kampet e robërve të luftës: mbi bazën e informatave të dhëna nga drejtoria e robërve të luftës e NKVD-së së BRSS-së,
b) për të arrestuarit: mbi bazën e informatave të dhëna nga NKVD-ja e Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës dhe nga NKVD-ja e Republikës Socialiste Sovjetike të Bjellorusisë”.
Vendimi ishte nënshkruar nga J. Stalini, K. Voroshillovi, A. Mikojani, V. Molotovi, M. Kalinini dhe L. Kaganoviçi.
19. Ekzekutimet u bënë në prill dhe në maj 1940. Robërit e kampit të Kozelskut u vranë në një vend në afërsi të Smolenskut, të quajtur pylli i Katinit; ata të kampit të Starobelskut u vranë në burgun e NKVD-së në Harkov dhe trupat e tyre u varrosën pranë fshatit Pjatihatki; policët e kampit të Ostashkovit u vranë në burgun e NKVD-së në Kalinin (sot Tver) e u varrosën në Mednoje. Rrethanat e ekzekutimit të të burgosurve të burgjeve që ndodheshin në krahinat perëndimore të Ukrainës e të Bjellorusisë mbeten deri më sot të panjohura.
20. Më 1942 dhe 1943, disa punonjës polakë të hekurudhave e pastaj ushtria gjermane zbuluan varre masive pranë pyllit të Katinit. Për drejtimin e punimeve të zhvarrimit që u bënë nga prilli deri në qershor 1943, u ngrit një komision ndërkombëtar prej dymbëdhjetë ekspertësh kriminalistike të ardhur nga disa vende (Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Finlanda, Franca, Hungaria, Italia, Vendet e Ulëta, Rumania, Sllovakia dhe Suedia) dhe të shoqëruar prej ekipeve të tyre mbështetëse. U zhvarrosën trupat e 4 243 oficerëve polakë, nga të cilët 2 730 u identifikuan. Komisioni ndërkombëtar nxori përfundimin se përgjegjës për masakrën ishin sovjetikët.
21. Si kundërpërgjigje, autoritetet sovjetike ua hodhën përgjegjësinë gjermanëve që, sipas tyre, i kishin kapur robërit polakë të vitit 1941 dhe i kishin ekzekutuar. Pas çlirimit të distriktit të Smolenskut nga Ushtria e Kuqe në shtator 1943, NKVD-ja krijoi një komision shtetëror të jashtëzakonshëm, me në krye N. Burdenkon, të ngarkuar për të mbledhur prova për përgjegjësinë gjermane në ekzekutimin e oficerëve polakë. Në komunikatën e tij të 22 janarit 1944, komisioni Burdenko deklaroi se robërit polakë ishin ekzekutuar nga gjermanët në vjeshtën e vitit 1941.
22. Gjatë procesit ndaj kriminelëve gjermanë të luftës në Gjykatën Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut (“Gjykata e Nurembergut”), ekzekutimet e Katinit figuronin në aktakuzë si akuzë për krime lufte (aktakuzë: akuza nr. 3 – krime lufte, seksioni C 2). Më 13 shkurt 1946, Z. Pokrovski, zëvendësprokurori i përgjithshëm i BRSS-së, i fajësoi të akuzuarit për ekzekutimin e 11 000 robërve polakë të luftës në vjeshtën e vitit 1941, mbi bazën e konkluzioneve të Komisionit Shtetëror të Jashtëzakonshëm (Procès des grands criminels de guerre devant le Tribunal militaire international, vëll. VII, f. 425-427). Me gjithë vërejtjet e prokurorëve sovjetikë për pyetjen e dëshmitarëve, Gjykata e Nurembergut dëgjoi, më 1 dhe 2 korrik 1946, tre dëshmitarë për akuzën dhe tre dëshmitarë për mbrojtjen (Procès des grands criminels de guerre devant le Tribunal militaire international, vëll. XVII, f. 270-371). Në përfundim të procesit, ekzekutimet e Katinit nuk u përmendën fare as në tekstin e vendimit të Gjykatës së Nurembergut, as në mendimin kundërshtues të gjyqtarit sovjetik.
23. Më 3 mars 1959, A. Shelepin, kryetar i Komitetit për Sigurimin e Shtetit (KGB), i propozoi N. Hrushovit, sekretarit të përgjithshëm të PKBS-së, që të asgjësoheshin dokumentet lidhur me ekzekutimin e robërve të luftës polakë:
“Prej vitit 1940, disa arkiva e dokumente të tjera lidhur me robërit dhe oficerët, policët, xhandarët, kolonët [ushtarakë], latifondistët e internuar dhe pjesëtarët e tjerë të Polonisë së vjetër borgjeze që janë ekzekutuar atë vit janë ruajtur nga Komiteti për Sigurimin e Shtetit i Këshillit të Ministrave të BRSS-së. Gjithsej, 21 857 persona u vranë mbi bazën e vendimeve të trojkës së posaçme të NKVD-së sovjetike, nga të cilët 4 421 në pyllin e Katinit (distrikti i Smolenskut), 3 820 në kampin e Starobelskut në afërsi të Harkovit, 6 311 në kampin e Ostashkovit (distrikti i Kalininit) dhe 7 305 në kampe e burgje të tjera të pjesës perëndimore të Ukrainës e të Bjellorusisë.
I gjithë operacioni për likuidimin e personave të lartpërmendur u krye mbi bazën e një vendimi të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BRSS-së të datës 5 mars 1940 (...) Që nga koha kur është vënë në jetë ky operacion, domethënë që prej vitit 1940, askujt nuk i është dhënë asnjë informacion lidhur me këtë çështje dhe të gjitha 21 857 dosjet janë ruajtur në vend të sigurt.
Asnjë nga këto dosje nuk paraqet kurrfarë vlere operative apo historike për organet sovjetike. Po ashtu, mbetet mjaft e dyshimtë që ato të mund të kenë ndonjë farë vlere reale për miqtë tanë polakë. Përkundrazi, ndonjë incident i rastësishëm do të kishte rrezik të çonte në zbulimin e operacionit, me të gjitha pasojat e papëlqyeshme që do të rridhnin për vendin tonë, sidomos qëkurse, për sa u përket personave të vrarë në pyllin e Katinit, versioni zyrtar është ripohuar nga një hetim i kryer me nismën e autoriteteve sovjetike më 1944 (...)
Duke marrë parasysh këto elemente, ngjan si më e udhës që të asgjësohen të gjitha dosjet lidhur me personat e vrarë më 1940 gjatë operacionit të sipërpërmendur (...) [P]rocesverbalet e mbledhjeve të trojkës së NKVD-së sovjetike që e kanë urdhëruar ekzekutimin e këtyre personave, si edhe dokumentet lidhur me vënien në zbatim të këtij vendimi mund të ruhen.”
24. Dokumentet e mbetura u arkivuan në një dosje të posaçme, të quajtur “paketa nr. 1”, të cilën mund ta shihte vetëm Sekretari i Përgjithshëm i PKBS-së. Më 28 prill 2010, përmbajtja e saj u bë zyrtarisht publike në sajtin e Shërbimit të Arkivave të Shtetit Rus në internet. Kjo dosje përfshin dokumentet historike të mëposhtme: propozimin e Berias të datës 5 mars 1940, vendimin e marrë nga Politbyroja në po atë datë, faqet e hequra nga procesverbali i mbledhjes së Politbyrosë dhe shënimin e Shelepinit më 3 mars 1959.
B. Paditësit dhe lidhjet e tyre me viktimat
1. Autorët e kërkesëpadisë nr. 55508/07
25. Paditësi i parë, Z. Jerzy-Roman Janowiec, ka lindur më 1929. Ai është i biri i Andrzej Janowiec-it, të lindur më 1890, i cili ishte toger në ushtrinë polake përpara Luftës së Dytë Botërore.
26. Paditësi i dytë , Z. Antoni-Stanisław Trybowski, ka lindur më 1940. Ai është nipi i Antoni Nawratil-it, të lindur më 1883, i cili ishte nënkolonel në ushtrinë polake.
27. Andrzej Janowiec dhe Antoni Nawratil u kapën që të dy robër gjatë pushtimit sovjetik të Polonisë në shtator 1939 pastaj u dërguan në kampin e Starobelskut në BRSS. Në listën e robërve të kampit, ata mbanin përkatësisht numrat 3914 e 2407. Ata u transferuan më vonë në një burg në Harkov e pastaj u ekzekutuan në prill 1940.
2. Autorët e kërkesëpadisë nr. 29520/09
28. Paditësja e parë dhe ajo e dytë, Znjat Witomiła Wołk‑Jezierska e Ojcumiła Wołk, kanë lindur përkatësisht më 1940 dhe më 1917. Ato janë përkatësisht e bija dhe bashkëshortja e Wincenty Wołk-ut, të lindur më 1909, i cili ishte toger në një njësi artilerie të rëndë të ushtrisë polake përpara Luftës së Dytë Botërore. Ky i fundit u zu rob nga Ushtria e Kuqe natën e 19 shtatorit 1939, pastaj u burgos në kampin e posaçëm të Kozelskut (emri i tij shfaqet në vendin e 3-të në listën e shpërndarjes 052/3 të NKVD-së të muajit prill 1940). Ai u ekzekutua më 30 prill 1940 dhe u varros në Katin. Trupi i tij u identifikua gjatë zhvarrimit të vitit 1943 (nr. 2564).
29. Paditësja e tretë, Znja Wanda Rodowicz, ka lindur më 1938. Ajo është mbesa e Stanisław Rodowicz-it, të lindur më 1883, i cili ishte oficer rezervist në ushtrinë polake. Ky i fundit u zu rob nga Ushtria e Kuqe në kufirin hungarez rreth 20 shtatorit 1939, pastaj u burgos në kampin e posaçëm të Kozelskut (emri i tij shfaqet në vendin e 94-t në listën 017/2). Ai u ekzekutua dhe u varros në Katin. Trupi i tij u identifikua gjatë zhvarrimit të vitit 1943 (nr. 970).
30. Paditësja e katërt, Znja Halina Michalska, e lindur më 1929, ka vdekur më 2012. Ajo ishte e bija e Stanisław Uziembło-s, të lindur më 1889. Oficer në ushtrinë polake, ky i fundit u zu rob nga sovjetikët pranë Białystok-ut (në Poloni), pastaj u burgos në kampin e posaçëm të NKVD-së në Starobelsk (emri i tij shfaqet në vendin e 3400-të). Mendohet se ai është ekzekutuar në Harkov dhe varrosur në afërsi të këtij qyteti, në Pjatihatki (sot në Ukrainë).
31. Paditësi i pestë, Z. Artur Tomaszewski, ka lindur më 1933. Ai është i biri i Szymon Tomaszewski-t, të lindur më 1900. Ky i fundit, i cili ishte komandant i postës policore të Kobilias, në kufirin sovjeto-polak, u arrestua aty nga ushtarët sovjetikë, pastaj u dërgua në kampin e posaçëm të NKVD-së në Ostashkov (emri i tij shfaqet në vendin e 5-të në listën 045/3). Ai u ekzekutua në Tver dhe u varros në Mednoje.
32. Paditësi i gjashtë, Z. Jerzy Lech Wielebnowski, ka lindur më 1930. I ati, Aleksander Wielebnowski, i lindur më 1897, ishte polic me detyrë në Luck, në pjesën lindore të Polonisë. Në tetor 1939, ai u arrestua nga ushtarët sovjetikë dhe pastaj u dërgua në kampin e Ostashkovit (emri i tij shfaqet në vendin e 10-të në listën 033/2). U ekzekutua në Tver dhe u varros në Mednoje.
33. Paditësi i shtatë, Z. Gustaw Erchard, ka lindur më 1935. I ati, Stefan Erchard, i lindur më 1900, ishte drejtori i një shkolle fillore në Rudka (Poloni). Ai u arrestua nga sovjetikët, pastaj u burgos në kampin e Starobelskut (emri i tij shfaqet në vendin e 3869-të). Mendohet se është ekzekutuar në Harkov dhe varrosur në Pjatihatki.
34. Paditësi i tetë, Z. Jerzy Karol Malewicz, ka lindur më 1928. I vëllai, paditësi i nëntë, Z. Krzysztof Jan Malewicz, i lindur më 1931, ka vdekur më 2011. I ati i tyre, Stanisław August Malewicz, i lindur më 1889, ishte mjek në ushtrinë polake. Ai u zu rob në Równe (Poloni), pastaj u burgos në kampin e Starobelskut (emri i tij shfaqet në vendin e 2219-të). Mendohet se është ekzekutuar në Harkov dhe varrosur në Pjatihatki.
35. Paditësja e dhjetë dhe ajo e njëmbëdhjetë, Znjat Krystyna Krzyszkowiak e Irena Erchard, të lindura përkatësisht më 1940 e 1936, janë të bijat e Michał Adamczyk-ut. I lindur më 1903, ky i fundit ishte komandanti i postës policore të Sarnakit. Ai u arrestua nga sovjetikët, u burgos në kampin e Ostashkovit (emri i tij shfaqet në vendin e 5-të në listën 037/2), u ekzekutua në Tver dhe u varros në Mednoje.
36. Paditësja e dymbëdhjetë, Znja Krystyna Mieszczankowska, e lindur më 1930, është e bija e Stanisław Mielecki-t. Ky i fundit, oficer polak i lindur më 1895, u mbajt i burgosur në kampin e Kozelskut pasi u arrestua nga disa ushtarë sovjetikë. Ai u ekzekutua dhe u varros në Katin. Trupi i tij u identifikua gjatë zhvarrimit të vitit 1943.
37. Paditësi i trembëdhjetë, Z. Krzysztof Romanowski, i lindur më 1953, është i nipi i Ryszard Żołędziowski-t. Ky i fundit, i lindur më 1887, u mbajt i burgosur në kampin e Starobelskut (emri i tij shfaqet në vendin e 1151-të) dhe mendohet se është ekzekutuar në Harkov dhe varrosur në Pjatihatki. Një listë e robërve të këtij kampi ku shfaqej emri i tij u gjet në xhepin e palltos së një oficeri polak trupi i të cilit, që paraqiste plagë plumbash në kokë, u zbulua gjatë një zhvarrimi të kryer bashkërisht nga një ekip rus dhe një ekip polak në afërsi të Harkovit më 1991.
C. Hetimi rreth dosjes penale nr. 159
38. Më 13 prill 1990, Z. Gorbaçov, presidenti i BRSS-së, i dorëzoi W. Jaruzelskit, presidentit polak, teksa ky ndodhej për vizitë në Moskë, dokumentet lidhur me masakrën e Katinit. Agjencia zyrtare e lajmeve sovjetike botoi një komunikatë që tregonte se, nga disa dokumente arkivore të sapobëra publike, dilte që “përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të krimit të kryer në pyllin e Katinin e mba[nin] Beria, Merkulovi dhe vartësit e tyre”.
39. Më 22 mars 1990, prokuroria e qarkut të Harkovit nisi një hetim penal rreth zanafillës së varreve të përbashkëta të zbuluara në distriktin Lesopark të atij qyteti. Më 6 qershor 1990, prokuroria e Kalininit (Tverit) veproi njëlloj lidhur me “zhdukjen” (исчезновение) në maj 1940 të robërve polakë të luftës të cilët mbaheshin të burgosur në kampin e NKVD-së në Ostashkov. Më 27 shtator 1990, Prokuroria Ushtarake Qendrore e BRSS-së e rinisi hetimin e kryer në Harkov, i caktoi atij numrin 159 dhe ia besoi atë një grupi prokurorësh ushtarakë.
40. Gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1991, disa ekspertë polakë e rusë bënë zhvarrosje trupash nga varret e përbashkëta që ndodheshin në Harkov, Mednoje dhe Katin. Ata shfletuan përveç kësaj arkivat lidhur me masakrën e Katinit, pyetën së paku dyzet dëshmitarë dhe urdhëruan ekspertiza mjekoligjore.
41. Më 14 tetor 1992, presidenti rus B. Jelcin tregoi se oficerët polakë ishin dënuar me vdekje nga Stalini dhe nga Politbyroja e PKBS-së. Drejtori i Arkivave të Shtetit të Rusisë u dorëzoi autoriteteve polake një numër dokumentesh, mes të cilave vendimin e 5 marsit 1940. Gjatë një vizite zyrtare në Poloni më 25 gusht 1993, presidenti Jelcin e nderoi kujtimin e viktimave përpara Kryqit të Katinit në Varshavë.
42. Në fund të muajit maj 1995, disa prokurorë bjellorusë, polakë, rusë dhe ukrainas mbajtën në Varshavë një mbledhje pune gjatë së cilës bënë bilancin e hetimit rreth dosjes nr. 159. Ata vendosën që prokurorët rusë t’u drejtoheshin homologëve të tyre bjellorusë e ukrainas në suazën e ndihmës së ndërsjellë gjyqësore, me qëllim që të hidhej dritë mbi rrethanat në të cilat ishin ekzekutuar 7 305 qytetarë polakë.
43. Më 13 maj 1997, autoritetet bjelloruse i informuan homologët e tyre rusë se nuk kishin qenë në gjendje të gjenin as dokumentin më të vogël lidhur me ekzekutimin e robërve polakë të luftës më 1940. Më 2002, autoritetet ukrainase paraqitën dokumente lidhur me transferimin e robërve polakë nga kampi i Starobelskut në burgun e NKVD-së në rajonin e Harkovit.
44. Më 2001, 2002 e 2004, kryetari i Institutit polak të Kujtesës Kombëtare (“IKK”) i kërkoi disa herë Prokurorisë Ushtarake Qendrore ruse që të mund t’i shihte dosjet hetimore, por më kot.
45. Më 21 shtator 2004, Prokuroria Ushtarake Qendrore ruse vendosi ta arkivojë dosjen penale nr. 159, me sa duket me arsyetimin se personat e paraqitur si përgjegjës për krimin kishin vdekur tashmë. Më 22 dhjetor 2004, Komisioni Ndërdikasterial për Ruajtjen e Sekreteve Shtetërore (“Komisioni Ndërdikasterial”) i klasifikoi si “tepër sekret” 36 vëllime të dosjes – nga gjithsej 183 – dhe “vetëm për përdorim të brendshëm” tetë vëllime të tjera. Vendimi për t’i dhënë fund hetimit u klasifikua si “tepër sekret” dhe ekzistenca e tij u zbulua vetëm më 11 mars 2005, gjatë një konference për shtyp të dhënë nga kryeprokurori ushtarak.
46. Qeveria ruse nuk e pranoi një kërkesë të Gjykatës për t’i paraqitur asaj një kopje të vendimit të 21 shtatorit 2004, me arsyetimin se ai dokument ishte i mbrojtur nga sekreti. Nga vërejtjet e saj del që arkivimi i hetimit u vendos mbi bazën e nenit 24 § 4 1) të Kodit rus të Procedurës Penale, për shkak vdekjeje të personave të dyshuar.
47. Nga 9 deri më 21 tetor 2005, tre prokurorë të IKK-së të ngarkuar me hetimin për masakrën e Katinit dhe kryeeksperti i Komisionit Qendror për Dënimin e Krimeve kundër Kombit Polak shkuan në Moskë me ftesë nga Prokuroria Ushtarake Qendrore. Ata i shqyrtuan 67 vëllimet e paklasifikuara si sekret të dosjes nr. 159, por nuk u lejuan të bëjnë kopje të tyre.
48. Më 8 maj 2010, presidenti rus, D. Medvjedev, i përcolli kryetarit të Parlamentit polak 67 vëllime të dosjes hetimore rreth kësaj masakre. Sipas informatave të dhëna nga qeveria polake, autoritetet ruse i kanë dorëzuar asaj kopje të certifikuara të gjithsej 148 vëllimeve, që përbëjnë rreth 45 000 faqe.
D. Veprimi i ndjekur në rrugë gjyqësore nga autorët e kërkesëpadisë nr. 55508/07
49. Më 2003, Z. Szewczyk, një avokat polak i pajtuar nga paditësi i parë (Z. Janowiec) dhe nga e ëma e paditësit të dytë (Z. Trybowski), i drejtoi prokurorit të përgjithshëm të Federatës së Rusisë një kërkesë që synonte nxjerrjen e dokumenteve lidhur me Andrzej Janowiec-in, Antoni Nawratil-in dhe një person të tretë.
50. Më 23 qershor 2003, prokurori i përgjithshëm iu përgjigj Z. Szewczyk se Prokuroria Ushtarake Qendrore po hetonte rreth një dosjeje penale lidhur me ekzekutimin e disa oficerëve polakë më 1940. Ai saktësoi se, më 1991, ky hetim kishte mundësuar zbulimin e rreth 200 trupave në rajonet e Harkovit, Tverit e Smolenskut, si edhe identifikimin e disave prej tyre, ndër të cilët ata të Andrzej Janowiec-it dhe të Antoni Nawratil-it. Ai shtoi se emrat e këtyre të fundit shfaqeshin në listën e robërve të kampit të Starobelskut dhe se të gjitha dokumentet e tjera që kishin të bënin me ta ishin asgjësuar më parë.
51. Më 4 dhjetor 2004, Z. Szewczyk iu lut formalisht Prokurorisë Ushtarake Qendrore që t’ua njihte Zve Janowiec e Trybowski të drejtat që u rridhnin atyre nga cilësia e të qenit të afërm oficerësh polakë të ekzekutuar dhe e ftoi atë që t’u përcillte atyre kopje të akteve procedurale si edhe dokumente personale që kishin të bënin me Andrzej Janowiec-in e Antoni Nawratil-in.
52. Më 10 shkurt 2005, Prokuroria Ushtarake Qendrore u përgjigj se emrat e këtyre të fundit shfaqeshin në listën e robërve të kampit të Starobelskut të cilët ishin ekzekutuar më 1940 nga NKVD-ja dhe varrosur në afërsi të Harkovit. Ajo shtoi se nuk ekzistonte asnjë dokument tjetër për ta dhe se kopjet e akteve procedurale mund t’u jepeshin vetëm viktimave të njohura zyrtarisht si të tilla ose përfaqësuesve të tyre.
53. Pas kësaj, paditësit iu drejtuan një avokati rus, Z. Bushujev, i cili i kërkoi Prokurorisë Ushtarake Qendrore lejen për ta studiuar këtë dosje. Më 7 nëntor 2006, Prokuroria Ushtarake Qendrore e rrëzoi kërkesën e tij me arsyetimin se klientët e tij nuk ishin të njohur formalisht si viktima në këtë çështje.
54. Avokati iu drejtua gjykatës me një ankim kundër refuzimeve të bëra nga ana e Prokurorisë Ushtarake Qendrore më 10 shkurt 2005 dhe më 7 nëntor 2006. Ai mbronte veçanërisht mendimin se cilësia si viktimë e një vepre penale përcaktohej në varësi të rrethanave faktike, për shembull në varësi të faktit nëse i interesuari ishte i dëmtuar ose jo nga vepra penale. Ai çmonte se, në këto kushte, njohja i cilësisë së viktimës për një person nga hetuesi kishte vlerën e një njohjeje formale të rrethanave të tilla faktike. Ai kërkoi kështu dhënien e kësaj cilësie Zve Janowiec e Trybowski si edhe lejimin e qasjes në dosje.
55. Më 18 prill 2007, Gjykata Ushtarake e Komandës së Moskës (“Gjykata Ushtarake”) e rrëzoi ankimin. Ajo vuri në dukje se, ndonëse emrat e Andrzej Janowiec-it e të Antoni Nawratil-it shfaqeshin vërtet në listën e robërve të kampit të Starobelskut, kufomat e tyre nuk bënin pjesë në ato të identifikuara gjatë hetimit. Ajo nxori andej përfundimin se nuk kishte asnjë arsye ligjore që të hamendësohej që shkaku i vdekjes së tyre të kishte qenë vepra penale e synuar. Për sa u takonte dokumenteve të dosjes, ajo vuri re se vendimi për arkivim përfundimtar i marrë më 21 shtator 2004 ishte klasifikuar si sekret shtetëror dhe se, për këtë arsye, asnjë i huaj nuk mund të kishte qasje në to.
56. Më 24 maj 2007, Gjykata e Lartë e Federatës së Rusisë e la në fuqi këtë vendim në gjykimin në kasacion, duke e përsëritur fjalë për fjalë arsyetimin e Gjykatës Ushtarake.
E. Veprimi i ndjekur në rrugë gjyqësore nga autorët e kërkesëpadisë nr. 29520/09
57. Më 20 gusht 2008, autorët e kësaj kërkesëpadie, nëpërmjet ekipit të avokatëve të tyre, iu drejtuan gjykatës me një ankim kundër vendimit të prokurorit më datën 21 shtator 2004. Ata mbronin mendimin se të afërmit e tyre ishin midis oficerëve polakë të burgosur, ekzekutimi i të cilëve ishte urdhëruar nga Politbyroja e PKBS-së më 5 mars 1940, por se, duke mos mundur ta fitonin cilësinë e viktimës në suazën e çështjes nr. 159, ata nuk kishin mundësi as të paraqisnin kërkesa apo peticione, as të kishin qasje në dokumentet e dosjes, as të merrnin kopje të vendimeve. Ata mbronin gjithashtu mendimin se hetimi ishte pa efektivitet, duke shpjeguar se nuk ishte bërë asnjë përçapje për t’u marrë atyre kampione biologjike në mënyrë që të mundësohej identifikimi i kufomave të zhvarrosura.
58. Me një vendim të 14 tetorit 2008, Gjykata Ushtarake e rrëzoi ankimin. Ajo vuri në dukje se, më 1943, Komisioni Ndërkombëtar dhe Komisioni Teknik i Kryqit të Kuq Polak i kishin zhvarrosur kufomat e pastaj i kishin futur ato përsëri në dhe, pa i identifikuar as numëruar. Ajo shtoi se një zhvarrim i ri i kryer më 1991 kishte bërë të mundur që të identifikoheshin vetëm njëzet e dy trupa, mes të cilëve nuk figuronin ata të të afërmve të paditësve. Ajo e pranoi që emrat e këtyre të fundit ishin të regjistruar në listat e NKVD-së për kampet e Ostashkovit, të Starobelskut e të Kozelskut, por tha se “hetimi mbi “Katinin” (...) nuk k[ishte] lejuar që të hidhej dritë mbi fatin e këtyre personave”. Ajo çmoi se, përderisa trupat nuk ishin identifikuar, asgjë nuk provonte që shkaku i vdekjeve të kishte qenë vepra penale e shpërdorimit të detyrës (neni 193-17 i Kodit Penal sovjetik të vitit 1926), e përmendur në vendimin e 21 shtatorit 2004. Ajo nxori përfundimin se asnjë element nuk lejonte që paditësve t’u jepej cilësia e viktimës sipas nenit 42 të Kodit të Procedurës Penale. Ajo shtoi që “përfaqësues shtetesh të huaja” nuk mund të kishin qasje në dokumente të klasifikuara si sekret.
59. Të njëjtët paditës, nëpërmjet avokatëve të tyre, paraqitën një memorandum ku mbronin mendimin se mungesa e informacionit rreth fatit të të afërmve të tyre ishte rezultat i një hetimi joefektiv. Ata parashtronin se të njëzet e dy personat e identifikuar kishin qenë të tillë vetëm falë pllakave të identitetit ushtarak të gjetura në varret masive dhe se hetuesit nuk kishin marrë asnjë masë e nuk kishin urdhëruar asnjë ekspertizë mjekoligjore për të identifikuar kufomat e zhvarrosura. Ata shtonin se dihej botërisht që zhvarrimi i vitit 1943 kishte lejuar të gjendeshin mbetjet e 4 243 personave, nga të cilët 2 730 ishin identifikuar. Ata mbronin mendimin se, ndër personat e identifikuar, tre ishin të afërm të ankuesve dhe se dhënia e cilësisë së viktimës për këta të fundit do ta kishte lejuar identifikimin e kufomave në saje të metodave të gjenetikës. Ata përfundonin se, në dosjen penale për masakrën e Katinit, asgjë nuk lejonte të thuhej që ndokush prej oficerëve polakë të dalë nga kampet e NKVD-së të kishte mbijetuar apo të kishte vdekur nga vdekje e natyrshme.
60. Më 29 janar 2009, Gjykata e Lartë e Federatës së Rusisë e la në fuqi në çdo pikë vendimin e 14 tetorit 2008. Ajo përsëriti fjalë për fjalë pjesë të gjata nga arsyetimet e Gjykatës Ushtarake, duke shtuar madje se vendimi i 21 shtatorit 2004 nuk mund të shfuqizohej meqenëse afati i parashkrimit kishte kaluar dhe se arkivimi i dosjes lidhur me disa aspekte ishte vendosur për “arsye rehabilitimi”.
F. Procedura për çarkivimin e vendimit të 21 shtatorit 2004
61. Më 26 mars 2008, Memorial, një organizatë joqeveritare ruse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, i paraqiti Prokurorisë Ushtarake Qendrore një kërkesë për çarkivimin e vendimit të 21 shtatorit 2004. Në përgjigjen e saj të 22 prillit 2008, prokuroria i vuri në dukje se nuk e kishte kompetencën për të shfuqizuar një arkivim të miratuar më 22 dhjetor 2004 nga Komisioni Ndërdikasterial.
62. Më 12 mars 2009, Memorial i kërkoi Komisionit Ndërdikasterial çarkivimin e vendimit të 21 shtatorit 2004, duke mbrojtur mendimin se arkivimi i dokumenteve të hetimit rreth Katinit ishte moralisht e juridikisht i papranueshëm dhe, për më tepër, në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për Sekretin Shtetëror, i cili e ndalonte arkivimin për çdolloj informacioni lidhur me një shkelje të të drejtave të njeriut. Me një letër të datës 27 gusht 2009, Komisioni Ndërdikasterial iu përgjigj organizatës se kërkesa e saj ishte shqyrtuar e hedhur poshtë, pa dhënë hollësi të mëtejshme.
63. Memorial u ankua kundër refuzimit të Komisionit Ndërdikasterial në Gjykatën e Moskës. Kjo e fundit, gjatë një seance të mbajtur më 13 korrik 2010, lexoi një letër të datës 25 qershor 2010 drejtuar kryetarit të trupit gjykues nga Komisioni Ndërdikasterial. Ky i fundit tregonte aty se, më 22 dhjetor 2004, nuk kishte marrë aspak ndonjë vendim që urdhëronte arkivimin e vendimit të dhënë nga Prokuroria Ushtarake Qendrore më 21 shtator 2004.
64. Më 2 nëntor 2010, pas një seance me dyer të mbyllura, gjykata e Moskës e rrëzoi kërkesën për çarkivim të paraqitur nga Memorial. Vendimi i saj përmbante në veçanti fragmentin e mëposhtëm:
“Gjykata ka përcaktuar se, me një vendim të datës 21 shtator 2004, Prokuroria Ushtarake Qendrore kishte vendosur arkivimin përfundimtar të hetimit penal të çelur nga prokuroria e qarkut të Harkovit e Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës më 22 mars 1990 me rastin e zbulimit të eshtrave të shtetasve polakë në zonën e pyllëzuar të Harkovit (...)
Hetimi i ka cilësuar si shpërdorim detyre me rrethana veçanërisht rënduese (neni 193-17 b) i Kodit Penal të RSFSR) veprimet e një numri udhëheqësish të lartë të BRSS-së të përcaktuar me emër. Ndjekjet penale ndaj këtyre të fundit janë pushuar mbi bazën e nenit 24 § 1 4) të Kodit rus të Procedurës Penale (për shkak vdekjeje të fajtorëve). Ato të nisura ndaj të tjerëve janë pushuar mbi bazën e nenit 24 § 1 2) (mungesë vepre penale).
Prokuroria Ushtarake Qendrore ia ka përcjellë projektvendimin e saj për arkivim Shërbimit Federal të Sigurimit që ky i fundit të jepte mendimin e tij të specializuar rreth pikës nëse ai tekst përmbante qoftë edhe informacionin më të vogël të rezervuar ose sekret në kuptimin e nenit 9 të Ligjit për Sekretin Shtetëror, meqenëse këtij shërbimi i është dhënë kompetenca për të vepruar ashtu siç e sheh të arsyeshme me informacionet e përfolura në vendimin e lartpërmendur.
Një komision ekspertësh të Shërbimit Federal të Sigurimit ka çmuar se projektvendimi i Prokurorisë Ushtarake Qendrore përmbante informacione që nuk ishin shklasifikuar. Ai ka theksuar për më tepër se ky projektvendim përfshinte informacione të rezervuara (...)
Më 21 shtator 2004, një pjesëtar i Prokurorisë Ushtarake Qendrore ka dhënë vendimin për arkivimin e hetimit penal nr. 159. Në dritën e përfundimeve të lartpërmendura të Shërbimit Federal të Sigurimit dhe mbi bazën e nenit 5 § 4, pikat 2 e 3 dhe të nenit 8 të Ligjit për Sekretin Shtetëror, si edhe të pikës 80 të Dekretit presidencial nr. 1203 të 30 nëntorit 1995, dokumenti është klasifikuar si tepër sekret (...) Kështu që nuk ka asnjë bazë ligjore që lejon të plotësohet kërkesa e paraqitur nga Memorial për ta shpallur si të parregullt e të papërligjur arkivimin e urdhëruar nga prokurori ushtarak qendror për vendimin e 21 shtatorit 2004 (...)
Për sa i përket argumentit të nxjerrë nga pala kërkuese se, në bazë të nenit 7 të Ligjit për Sekretin Shtetëror, asnjë informacion lidhur me shkelje të ligjit nga ana e autoriteteve apo nëpunësve të shtetit nuk mund të shpallet si sekret shtetëror ose i klasifikuar, ai është i pabazuar, përderisa vendimi i prokurorit ushtarak qendror i 21 shtatorit 2004 përmbante informacione që kishin të bënin me zbulimin, me kundërzbulimin dhe me veprimtari operative e kërkimi që, sipas nenit 4 të po këtij ligji, i përkasin sekretit shtetëror (...)”
65. Me një vendim të 26 janarit 2011, Gjykata e Lartë e Federatës së Rusisë e rrëzoi rekursin e paraqitur nga Memorial kundër vendimit të gjykatës së Moskës.
G. Procedurat për “rehabilitim” të të afërmve të paditësve
66. Shumica e paditësve iu drejtuan disa herë autoriteteve të ndryshme ruse, duke filluar nga Prokuroria Ushtarake Qendrore, për të marrë informacione lidhur me hetimin penal për Katinin si edhe për të fituar “rehabilitimin” e të afërmve të tyre, në përputhje me dispozitat e Ligjit të vitit 1991 për Rehabilitimin (paragrafi 86 i mëposhtëm).
67. Me një letër të datës 21 prill 1998 në përgjigje të një kërkese për rehabilitim të paraqitur nga Znja Ojcumiła Wołk, Prokuroria Ushtarake Qendrore pohoi se bashkëshorti i kësaj të fundit, Wincenty Wołk, ishte mbajtur i burgosur si rob lufte në kampin e Kozelskut e pastaj ishte ekzekutuar, bashkë me robër të tjerë, në pranverën e vitit 1940. Ajo saktësonte se kërkesa për rehabilitim do të shqyrtohej vetëm pasi të ishte përfunduar hetimi penal.
68. Më 25 tetor 2005, pas arkivimit përfundimtar të hetimit rreth dosjes nr. 159, Znja Witomiła Wołk-Jezierska i kërkoi Prokurorisë Ushtarake Qendrore kopje të vendimit për arkivim. Me shpjegimin se vendimi ishte i klasifikuar si tepër sekret, prokuroria e rrëzoi këtë kërkesë me një letër të datës 23 nëntor 2005. Më 8 dhjetor 2005, ambasada e Polonisë në Moskë i kërkoi prokurorisë shpjegime lidhur me dosjen për rehabilitimin e Wincenty Wołk-ut. Në një letër të datës 18 janar 2006, prokuroria shprehu mendimin se nuk kishte asnjë bazë ligjore që të lejonte të rehabilitohej W. Wołk-u ose shtetas të tjerë polakë, meqenëse hetimi nuk e kishte mundësuar që të përcaktohej se mbi cilën dispozitë të Kodit Penal të vitit 1926 mbështetej ndëshkimi objekt i të cilit kishin qenë personat në fjalë. Me një letër të 12 shkurtit 2007 të hartuar në mënyrë të njëllojtë, prokuroria e rrëzoi një kërkesë të re për rehabilitim të paraqitur nga Znja Wołk.
69. Më 13 mars 2008, Prokuroria Ushtarake Qendrore e rrëzoi një kërkesë për rehabilitim të paraqitur nga të gjithë paditësit nëpërmjet avokatëve të tyre. Ajo deklaroi se nuk ishte e mundur të përcaktohej se mbi çfarë baze juridike mbështeteshin përndjekjet objekt i të cilave kishin qenë më 1940 shtetasit polakë në fjalë. Ajo shtoi se, ndonëse ekzistonin dokumente që tregonin se të afërmit e kërkuesve ishin transferuar nga kampet e NKVD-së të Ostashkovit, të Kozelskut dhe të Starobelskut në Kalinin, Smolensk e Harkov, përpjekjet e përbashkëta të hetuesve bjellorusë, polakë, rusë dhe ukrainas nuk kishin bërë të mundur që të zbulohej asnjë dosje penale dhe asnjë dokument lidhur me përndjekjet e nisura kundër tyre më 1940. Ajo përfundoi se, në mungesë të dokumenteve të tilla, nuk ishte e mundur që të merrej vendim se sa i zbatueshëm ishte ligji për rehabilitimin. Ajo shtoi se trupat e të afërmve të kërkuesve nuk dilnin mes atyre të gjetur gjatë punimeve të zhvarrimit.
70. Paditësit, nëpërmjet avokatëve të tyre, iu drejtuan gjykatës me një ankim kundër refuzimit të prokurorit.
71. Më 24 tetor 2008, Gjykata e Distriktit Hamovniçeski të Moskës e rrëzoi ankimin e tyre. Duke e pohuar se emrat e të afërmve të paditësve ishin të regjistruar në listat e të burgosurve të NKVD-së, ajo theksoi se, në përfundim të zhvarrimeve të kryera në suazën e hetimit për dosjen nr. 159, ishin identifikuar vetëm njëzet kufoma, midis të cilave nuk figuronin ato të të afërmve të paditësve. Ajo doli përveç kësaj në përfundimin se nuk kishte asnjë arsye që të hamendësohej që dhjetë robërit e luftës polakë në fjalë (të afërmit e paditësve) të ishin ekzekutuar me të vërtetë, dhe se për avokatë rusë nuk kishte kurrfarë interesi juridik që të fitohej rehabilitim shtetasish polakë.
72. Më 25 nëntor 2008, Gjykata e Moskës e rrëzoi prerazi apelimin e bërë kundër vendimit të Gjykatës së Distriktit.
H. Deklarata e Dumës ruse për tragjedinë e Katinit
73. Më 26 nëntor 2010, Duma Shtetërore, dhoma e ulët e Parlamentit rus, miratoi një deklaratë me titullin “Tragjedia e Katinit dhe viktimat e saj”, e cila përmbante veçanërisht fragmentin e mëposhtëm:
“Para shtatëdhjetë vjetësh u vranë mijëra shtetas polakë të burgosur në kampet e robërve të luftës të NKVD-së së BRSS-së e nëpër burgje që ndodheshin në rajonet perëndimore të RSS të Ukrainës dhe në RSS të Bjellorusisë.
Propaganda zyrtare sovjetike ua hodhi përgjegjësinë për këto mizori, të cilat u quajtën në mënyrë kolektive tragjedia e Katinit, disa kriminelëve nazistë (...) Në fillim të viteve 1990, vendi ynë ka bërë përparime të mëdha në rrugën e zbardhjes të së vërtetës lidhur me tragjedinë e Katinit. Është pranuar se shfarosja në masë e shtetasve polakë brenda territorit të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një veprim arbitrar i kryer nga ai shtet totalitar (...)
Elementet e bëra publike, të cilat ishin ruajtur për shumë vite nëpër arkiva të fshehta, i tregojnë përmasat e kësaj tragjedie të tmerrshme por vërtetojnë gjithashtu se krimi i Katinit u krye me urdhrat e drejtpërdrejtë të Stalinit e të udhëheqësve të tjerë sovjetikë (...)
Kopje të dokumenteve të shumta të ruajtura në arkivat e rezervuara të Politbyrosë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik i janë përcjellë tashmë palës polake. Anëtarët e Dumës Shtetërore çmojnë se kjo punë duhet të vijohet. Duhet të vazhdohet të shfletohen arkivat, të verifikohen listat e viktimave, të çnjolloset emri i personave që kanë gjetur vdekjen në Katin e gjetiu, dhe të hidhet dritë mbi rrethanat e kësaj tragjedie (...)”.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA NDËRKOMBËTARE LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. Konventa e Katërt e Hagës
74. Rregullorja për Ligjet dhe Zakonet e Luftës Tokësore, bashkëngjitur Konventës (IV) të Hagës të 18 tetorit 1907 lidhur me ligjet dhe me zakonet e luftës tokësore thotë konkretisht:
“Neni 4. Robërit e luftës janë në dorë të qeverisë armike, por jo të individëve ose të trupave që i kanë kapur.
Ata duhet të trajtohen me njerëzi.
(...)”
“Neni 23. Përveç ndalimeve të vendosura me konventa të posaçme, ndalohet sidomos:
(...)
b) të vriten ose të plagosen me tradhti individë që i përkasin kombit ose ushtrisë armike;
c) të vritet ose të plagoset një armik që, pasi ka ulur armët dhe nuk ka më mjete për t’u mbrojtur, është dorëzuar pa kushte;
(...)”
“Neni 50. Asnjë dënim kolektiv, financiar a tjetër, nuk mund të shpallet ndaj popullsive për arsye veprimesh individuale për të cilat ato nuk mund të konsiderohen si përgjegjëse në mënyrë solidare.”
B. Konventa e Gjenevës
75. Konventa e Gjenevës e 27 korrikut 1929 lidhur me trajtimin e robërve të luftës sanksionon në veçanti:
“Neni 2. Robërit e luftës janë në dorën e Fuqisë armike, por jo të individëve ose të trupave ushtarake që i kanë zënë.
Ata duhet të trajtohen, kurdoherë, me njerëzi dhe të mbrohen veçanërisht ndaj veprimeve të dhunës, fyerjeve dhe kërshërisë publike.
Masat e reprezaljeve ndaj tyre janë të ndaluara.”
“Neni 61. Asnjë rob lufte nuk mund të dënohet pa iu pasur dhënë rasti për t’u mbrojtur.
Asnjë rob lufte nuk mund të detyrohet që ta quajë veten fajtor për faktin për të cilin akuzohet.”
“Neni 63. Në ngarkim të një robi lufte mund të shpallet vendim vetëm nga po ato gjykata dhe sipas po asaj procedure si edhe ndaj personave që u përkasin forcave të armatosura të Fuqisë që e mban atë.”
C. Statuti i Gjykatës së Nurembergut
76. Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare (“Karta e Nurembergut”), i krijuar në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar më 8 gusht 1945 nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Francës, të Mbretërisë së Bashkuar dhe të BRSS-së, jepte përkufizimet e mëposhtme në nenin 6 të saj:
“Veprimet e mëposhtme, ose një cilido prej tyre, janë krime nën juridiksionin e Gjykatës dhe shkaktojnë një përgjegjësi individuale:
a) “Krimet kundër Paqes”: domethënë drejtimi, përgatitja, shpërthimi ose vazhdimi i një lufte agresioni, ose i një lufte në shkelje të traktateve, sigurimeve apo marrëveshjeve ndërkombëtare, ose pjesëmarrja në një plan të shestuar a në një komplot për kryerjen e njërit cilido prej veprimeve që paraprijnë;
b) “Krime lufte”: domethënë shkeljet e ligjeve dhe të zakoneve të luftës. Këto shkelje përfshijnë, pa u kufizuar vetëm me aq, vrasjen, keqtrajtimet dhe internimin për punë të detyruara ose për çdolloj qëllimi tjetër, të popullsive civile në territoret e pushtuara, vrasjen apo keqtrajtimet e robërve të luftës ose të personave në det, ekzekutimin e pengjeve, plaçkitjen e pasurive publike apo private, shkatërrimin pa arsye të qyteteve e të fshatrave ose rrënimin që nuk përligjen me kërkesat ushtarake;
c) “Krimet ndaj Njerëzimit”: domethënë, vrasjen, shfarosjen, skllavërimin, internimin dhe çdolloj veprimi tjetër çnjerëzor të kryer ndaj të gjitha popullsive civile, përpara ose gjatë luftës, ose persekutimet për arsye politike, raciale a fetare, kur këto veprime apo persekutime, qoftë kur ato kanë përbërë një shkelje të së drejtës së brendshme të vendit ku janë bërë, qoftë jo, janë kryer pas çfarëdolloj krimi që përfshihet në kompetencën e Gjykatës, ose në lidhje me atë krim.”
77. Këto përkufizime janë kodifikuar më vonë në Parimin VI të Parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare të sanksionuara nga Statuti i Gjykatës së Nurembergut dhe në vendimin e kësaj gjykate, të parashtruara nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare më 1950 në bazë të Rezolutës 177 (II) të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe të ripohuara nga kjo e fundit.
D. Konventa për Paparashkrueshmërinë e Krimeve të Luftës dhe të Krimeve kundër Njerëzimit
78. Konventa e 26 nëntorit 1968 për Paparashkrueshmërinë e Krimeve të Luftës dhe të Krimeve kundër Njerëzimit, në të cilën është palë Federata e Rusisë, thotë në veçanti:
Neni i parë
“Krimet e mëposhtme janë të paparashkrueshme, cilado qoftë data kur janë kryer:
a) Krimet e luftës, ashtu siç përkufizohen ato në Statutin e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut të 8 gushtit 1945 dhe ripohohen nga Rezolutat 3 (I) dhe 95 (I) të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në datat 13 shkurt 1946 dhe 11 dhjetor 1946 (...)
b) Krimet kundër njerëzimit, qofshin ato të kryera në kohë lufte apo në kohë paqeje, ashtu siç përkufizohen në Statutin e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut të 8 gushtit 1945 dhe ripohohen nga Rezolutat 3 (I) dhe 95 (I) të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve, në datat 13 shkurt 1946 dhe 11 dhjetor 1946 (...)”
Neni IV
“Shtetet palë në këtë Konventë zotohen të marrin, në përputhje me procedurat e tyre kushtetuese, të gjitha masat legjislative apo të tjera që do të ishin të nevojshme për të siguruar paparashkrueshmërinë e krimeve të synuara në nenin e parë dhe II të kësaj Konvente, qoftë për sa i përket ndjekjeve penale, qoftë për sa i përket dënimit; aty ku parashkrimi mund të ekzistojë në këtë fushë, në bazë të ligjit apo ndryshe, ai do të shfuqizohet.”
E. Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve
79. Konventa e Vjenës e 23 majit 1969 për të Drejtën e Traktateve (“Konventa e Vjenës”), në të cilën Federata e Rusisë është palë, përcakton konkretisht:
Neni 26
Pacta sunt servanda
“Çdo traktat në fuqi është detyrues për palët dhe duhet të zbatohet prej tyre në mirëbesim.”
Neni 27
E drejta e brendshme dhe respektimi i traktateve
“Një palë nuk mund t’u referohet dispozitave të së drejtës së saj të brendshme si përligjje për moszbatimin e një traktati. (...)”
Neni 28
Pafuqia prapavepruese e traktateve
“Me përjashtim të rasteve kur nga traktati del një qëllim i ndryshëm apo kur është vendosur ndryshe, dispozitat e një traktati nuk janë detyruese për një palë për sa i përket një veprimi ose një fakti të ndodhur përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij traktati në vështrim të kësaj pale apo një situate që kishte reshtur së ekzistuari në atë datë.”
F. Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike
80. Neni 7 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (“Pakti”), në të cilin Federata e Rusisë është palë, thotë:
“Askush nuk do t’i nënshtrohet torturës, as dënimeve apo trajtimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese. Në veçanti, është e ndaluar që një person t’i nënshtrohet pa pëlqimin e tij të lirë një eksperimenti mjekësor ose shkencor.”
81. Në Vërejtjen e tij të Përgjithshme nr. 31 (80) rreth natyrës së detyrimit juridik të përgjithshëm që u diktohet shteteve palë në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, të miratuar më 29 mars 2004 në seancën e 2187-të, Komiteti i të Drejtave të Njeriut i OKB-së ka thënë konkretisht kështu:
“4. Detyrimet që rrjedhin nga Pakti në përgjithësi dhe nga neni 2 në veçanti i përkasin çdo shteti palë të parë në tërësinë e tij. Të gjitha autoritetet e shtetit (pushteti ekzekutiv, ai legjislativ dhe ai gjyqësor), si edhe autoritetet publike dhe instancat e tjera publike të çfarëdo shkalle që të jetë – kombëtare, rajonale ose lokale –, janë në gjendje që ta angazhojnë përgjegjësinë e shtetit palë. Pushteti ekzekutiv, i cili e përfaqëson përgjithësisht shtetin palë në shkallë ndërkombëtare, duke përfshirë aty edhe përpara Komitetit, nuk mund të sjellë si argument faktin që një veprim i papajtueshëm me dispozitat e Paktit është zbatuar nga një autoritet tjetër i shtetit për t’u orvatur që ta përjashtojë shtetin palë nga përgjegjësia e këtij veprimi dhe nga papajtueshmëria që rezulton prej tij. Ky interpretim rrjedh drejtpërdrejt nga parimi i parashtruar në nenin 27 të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve, sipas të cilit një shtet palë “nuk mund t’u referohet dispozitave të së drejtës së tij të brendshme si përligjje për moszbatimin e një traktati”. (...)”
82. Gjatë mbledhjes së tij të 3 prillit 2003, Komiteti i të Drejtave të Njeriut, i krijuar në zbatim të nenit 28 të Paktit, në përfundim të shqyrtimit nga ana e tij të njoftimit nr. 886/1999, të paraqitur në emër të Natalia Schedko-s dhe Anton Bondarenko-s kundër Bjellorusisë, është shprehur si më poshtë:
« 10.2 Komiteti vë në dukje se autorja ankohet që familja e saj nuk është informuar as për datën, as për orën, as për vendin e ekzekutimit të të birit, si edhe as për vendin e saktë ku ai është varrosur pastaj, dhe se ky pohim nuk është kundërshtuar. Meqenëse shteti palë nuk e ka hedhur poshtë si të pavërtetë këtë ankim dhe nuk ka dhënë asnjë informacion tjetër me rëndësi rreth mënyrës se si bëhen ekzekutimet e dënimeve me vdekje, është e udhës që pohimet e autores të merren si të vërteta. Komiteti e kupton ankthin dhe trysninë psikologjike që autorja, nënë e një të burgosuri të dënuar me vdekje, ka vuajtur dhe vazhdon prapë të vuajë sepse ajo nuk i di ende rrethanat në të cilat është ekzekutuar i biri, as vendndodhjen e varrit të tij. Komiteti është i mendimit se fshehtësia e plotë rreth datës së ekzekutimit dhe vendndodhjes së varrit, si edhe mospranimi për ta dorëzuar trupin për qëllim varrimi, kanë si efekt që t’i frikësojnë ose t’i ndëshkojnë familjet duke i lënë ato me dashje në një gjendje paqartësie dhe vuajtjeje psikologjike. Komiteti është i mendimit se fakti që autoritetet fillimisht nuk ia kanë bërë të ditur autores datën e parashikuar për ekzekutimin e të birit, pastaj kanë ngulmuar që të mos ia tregojnë asaj vendndodhjen e varrit të të birit, përbën një trajtim çnjerëzor ndaj autores, në kundërshtim me nenin 7 të Paktit.”
83. Gjatë mbledhjes së tij të 28 marsit 2006, Komiteti i të Drejtave të Njeriut, në përfundim të shqyrtimit nga ana e tij të njoftimit nr. 1159/2003, të paraqitur në emër të Mariam, Philippe, Auguste dhe Thomas Sankara-së kundër Burkina Fasos, është shprehur si më poshtë:
“6.2 Komiteti e ka mbajtur shënim argumentimin e shtetit palë rreth papranueshmërinë ratione temporis të njoftimit. Meqenëse kishte mbajtur shënim gjithashtu edhe argumentet e autorëve, Komiteti ka çmuar se ishte e udhës që të bëhej dallimi midis ankimit që lidhet me Z. Thomas Sankara, në njërën anë, dhe atij që ka të bëjë me Znjën Sankara dhe fëmijët e saj, në anën tjetër. Komiteti ka çmuar se vdekja e Thomas Sankara-së, e cila mund të kishte përbërë shkelje të disa neneve të Paktit, kishte ndodhur më 15 tetor 1987, pra përpara hyrjes në fuqi të Paktit dhe të Protokollit fakultativ për Burkina Fason. Kjo pjesë e njoftimit ishte kështu e papranueshme ratione temporis. Akti i vdekjes së Thomas Sankara-së, i 17 janarit 1988, i cili përcaktonte një vdekje të natyrshme në kundërshtim me faktet, botërisht të njohura, dhe ashtu siç vërtetohej nga shteti palë (...) si edhe moskorrigjimi i tij që prej asaj kohe nga ana e autoriteteve, duhej të ishte kuptuar në vështrim të efekteve të tij të vazhdueshme ndaj Znjës Sankara dhe fëmijëve të saj.
(...)
12.2 Për sa i përket shkeljes së nenit 7, Komiteti e kupton ankthin dhe trysninë psikologjike që Znja Sankara dhe bijtë e saj, familje e një njeriu të vrarë në rrethana të vëna në diskutim, kanë vuajtur dhe vazhdojnë prapë të vuajë sepse ata nuk i dinë ende rrethanat në të cilat ka vdekur Thomas Sankara-ja, as vendin e saktë ku është varrosur zyrtarisht trupi i tij. Familja e Thomas Sankara-së ka të drejtën që t’i dijë rrethanat e vdekjes së tij, dhe Komiteti rikujton se çdo ankim për veprime të ndaluara nga neni 7 i Paktit duhet të bëhet objekt hetimesh të shpejta dhe të paanshme nga ana e autoriteteve kompetente. Përveç kësaj, Komiteti vë në dukje, siç e ka bërë edhe gjatë diskutimeve të tij rreth pranueshmërisë, moskorrigjimin e aktit të vdekjes së Thomas Sankara-së të 17 janarit 1988, i cili përcakton një vdekje të natyrshme në kundërshtim me faktet, botërisht të njohura dhe ashtu siç vërtetohen nga shteti palë. Komiteti është i mendimit se mospranimi për të kryer një hetim rreth vdekjes së Thomas Sankara-së, mosnjohja zyrtare e vendndodhjes së trupit të tij dhe moskorrigjimi i aktit të vdekjes përbëjnë një trajtim çnjerëzor ndaj Znjës Sankara dhe bijve të saj, në kundërshtim me nenin 7 të Paktit.”
III. E DREJTA E BRENDSHME LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. Kodi i Procedurës Penale i Federatës së Rusisë (Ligji nr. 174-FZ i 18 dhjetorit 2001)
84. Neni 24 § 1 i këtij kodi parashikon konkretisht arsyet e mëposhtme për arkivimin përfundimtar të një çështjeje penale:
“1) nuk ka vepër penale;
2) veprimet e kryera nuk përbëjnë vepër penale;
(...)
4) i dyshuari ose i akuzuari ka vdekur, me përjashtim të rastit kur ka vend për ta vazhduar procedurën penale për qëllime të rehabilitimit të tij (...)”
85. Neni 42 përkufizon si “viktimë” çdo person të cilit një vepër penale i ka shkaktuar një dëm trupor, financiar ose moral. Cilësinë e “viktimës” një individi ia njeh hetuesi, magjistrati hetues, prokurori ose gjyqtari.
B. Ligji për Rehabilitimin (Ligji nr. 1761-I i 18 tetorit 1991)
86. Sipas përcaktimeve në hyrje të tij, Ligji për Rehabilitimin ka për qëllim “rehabilitimin” e të gjithave viktimave të shtypjes politike të cilat janë përndjekur në territorin e Federatës së Rusisë pas 7 nëntorit 1917, duke e përkufizuar nocionin e “rehabilitimit” si “rivendosja e të drejtave civile, fshirja e çdo pasoje tjetër negative të veprimeve arbitrare dhe zhdëmtimi i dëmit material”.
87. Sipas nenit 1, “shtypja politike” nënkupton masat e ndryshme detyruese, duke përfshirë shkaktimin e vdekjes ose heqjet e lirisë, të diktuara nga shteti për arsye politike, si edhe çdolloj kufizimi tjetër të të drejtave dhe lirive të personave të njohur si shoqërisht të rrezikshëm për shtetin ose për regjimin politik për shkak të klasës, të prejardhjes shoqërore ose etnike, ose të fesë së tyre.
88. Neni 2 e zgjeron zbatimin e ligjit deri te rehabilitimi i të gjithë shtetasve rusë, ish-shtetasve të BRSS-së, shtetasve të huaj e personave pa atdhe viktima të shtypjes politike në territorin e Federatës së Rusisë pas 7 nëntorit 1917.
89. Neni 3 përmend kategoritë e personave që mund të përfitojnë “rehabilitim”. Pika e tij b) ka të bëjë me personat që kanë qenë viktima shtypjeje politike si pasojë vendimesh të Komisionit të Jashtëzakonshëm Panrus (Çeka, ВЧК), të Drejtorisë Politike Shtetërore (Gepeu, ГПУ), të Komisariatit të Popullit për Punët e Brendshme (NKVD, НКВД), të Ministrisë së Sigurimit Shtetëror (MGB, МГБ), të prokurorëve dhe të organeve të tyre kolegjiale, të “komisioneve të posaçme”, të trojkës ose të autoriteteve të tjera të veshura me funksione gjyqësore.
C. Klasifikimi dhe shklasifikimi i sekreteve shtetërore në Rusi
90. Sipas përkufizimeve në hyrje të tij, Ligji për Sekretin Shtetëror (Ligji nr. 5485-I i 21 korrikut 1993) përcakton procedurën për identifikimin e asaj çka i përket sekretit shtetëror, klasifikimin dhe shklasifikimin e informacioneve dhe mbrojtjen e informacioneve në interes të sigurisë kombëtare të Federatës së Rusisë.
91. Neni 5 i këtij ligji numëron kategoritë e informacioneve që i përkasin sekretit shtetëror. Synohen konkretisht:
“4. Informacionet që i përkasin fushës së zbulimit, të kundërzbulimit dhe të veprimtarive operative e kërkimore, si edhe asaj të luftës kundër terrorizmit:
– lidhur me mjetet, pajisjet, burimet, metodat, planet dhe rezultatet e veprimtarive të zbulimit, të kundërzbulimit dhe operative e kërkimore, si edhe me financimin e tyre (...)
– lidhur me personat që kanë bashkëpunuar ose bashkëpunojnë në fshehtësi me autoritetet e ngarkuara me zbulimin, kundërzbulimin dhe me veprimtaritë operative e kërkimore.”
92. Neni 7 bën listën e informacioneve që nuk mund të mbulohen nga sekreti shtetëror, as të klasifikohen. Aty figurojnë konkretisht ato që janë:
“– lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore të individëve dhe të qytetarëve (...)
– lidhur me veprime të paligjshme të autoriteteve ose nëpunësve të shtetit.”
93. Neni 13 përcakton procedurën e shklasifikimit të informacioneve. Ai parashikon gjithashtu se:
“Afati gjatë të cilit sekreti shtetëror duhet të mbetet i klasifikuar nuk mund të kapërcejë tridhjetë vjet. Në raste të jashtëzakonshme, Komisioni Ndërdikasterial për Mbrojtjen e Sekreteve Shtetërore mund ta zgjasë këtë afat.”
94. Më 2 gusht 1997, Qeveria ka miratuar Rregulloren (nr. 973) lidhur me përgatitjen e informacioneve të klasifikuara si sekret shtetëror për t’ua komunikuar ato shteteve të huaja ose organizatave ndërkombëtare. Ky tekst i jep mundësi qeverisë ruse që të urdhërojë komunikimin e informacioneve të këtij lloji mbi bazën e një raporti të hartuar nga Komisioni Ndërdikasterial për Mbrojtjen e Sekreteve Shtetërore (§ 3). Marrësi duhet të zotohet që ti mbrojë informacionet e klasifikuara duke nënshkruar një traktat ndërkombëtar që e parashikon në veçanti procedurën për komunikimin e informacioneve, një klauzolë mirëbesimi dhe një procedurë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (§ 4).
D. Kodi Penal i Federatës së Rusisë (Ligji nr. 63-FZ i 13 qershorit 1996)
95. Kapitulli 34 i këtij kodi numëron krimet kundër paqes dhe sigurisë së njerëzimit. Neni 356 e ndalon në veçanti “trajtimin mizor të robërve të luftës ose të civilëve”, një vepër penale që ndëshkohet me një dënim që mund të shkojë deri në njëzet vjet burgim.
96. Neni 78 § 5 parashikon paparashkrueshmërinë e veprave penale të përkufizuara në nenet 353 (luftë), 356 (mjete luftarake të ndaluara), 357 (gjenocid) dhe 358 (ekocid) të Kodit.
LIGJI
I. RRETH PIKËS NËSE TË AFËRMIT E PADITËSVE TË VDEKUR KANË CILËSI PËR TË VEPRUAR PËRPARA GJYKATËS
97. Pas vdekjes së Krzysztof Jan Malewicz-it Më 7 korrik 2011, i biri i tij, Z. Piotr Malewicz, i ka bërë të ditur Gjykatës dëshirën e tij për t’i ndjekur në vend të të atit pretendimet e ngritura nga ky i fundit.
98. Dhoma ka rikujtuar se, në çështje të mëparshme ku paditësi kishte vdekur gjatë procedurës, Gjykata i kishte marrë parasysh deklaratat me anë të të cilave trashëgimtarët e tij ose anëtarë të familjes së tij të afërt ishin shprehur se donin ta vijonin gjyqin para saj (Karner k. Austrisë, nr. 40016/98, § 25, GjEDNj 2003-IX, dhe Dalban k. Rumanisë [DhM], nr. 28114/95, § 39, GjEDNj 1999-VI). Kështu, ajo e ka pranuar që Z. Piotr Malewicz ta ndjekë padinë përderisa ajo ishte paraqitur nga i ndjeri i ati i tij.
99. Halina Michalska ka vdekur më 28 nëntor 2012. Me një letër të 30 janarit 2013, i biri, Z. Kazimierz Raczyński, ka shprehur vullnetin e tij për ta ndjekur gjyqin në vend të së ëmës.
100. Dhoma e Madhe vëren se Z. Piotr Malewicz dhe Z. Kazimierz Raczyński janë që të dy njerëz të afërm të paditësve të vdekur dhe se njohja nga dhoma e cilësisë për të vepruar për Z. Piotr Malewicz nuk është kundërshtuar as nga njëra palë, as nga tjetra. Ajo nuk sheh pra asnjë arsye për të dalë në një përfundim të ndryshëm, qoftë ndaj Z. Piotr Malewicz, qoftë, për analogji, ndaj Z. Kazimierz Raczyński.
101. Prandaj Gjykata e pranon që Ztë Piotr Malewicz dhe Kazimierz Raczyński ta ndjekin padinë, përderisa kjo e fundit është paraqitur përkatësisht nga i ndjeri Krzysztof Jan Malewicz dhe nga e ndjera Halina Michalska.
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 2 TË KONVENTËS
102. Paditësin mbrojnë mendimin se autoritetet ruse nuk u janë përmbajtur detyrimeve të tyre që rrjedhin nga pjesa procedurale e nenit 2 të Konventës, e cila sipas tyre diktonte kryerjen e një hetimi në mënyrë të duhur dhe efektive rreth vdekjes së të afërmve të tyre. Neni 2 është i formuluar kështu:
“1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i privohet qëllimisht jeta, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim me vdekje i dhënë nga një gjykatë, kur krimi ndëshkohet me këtë dënim nga ligji.
2. Jeta nuk konsiderohet e privuar në kundërshtim me këtë nen në rastet kur ky privim vjen nga përdorimi i forcës, i bërë absolutisht i domosdoshëm:
a) në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme;
b) për të kryer një arrestim të ligjshëm ose për të penguar arratisjen e një personi të cilit i është hequr liria ligjërisht;
c) për të kundërshtuar, në përputhje me ligjin, një trazirë ose kryengritje.”
A. Vendimi i dhomës
103. Duke rikujtuar se, në vendimin e saj të 5 korrikut 2011 rreth pranueshmërisë, Gjykata e kishte bashkuar me çështjen në themel prapësimin për moskompetencë ratione temporis të formuluar nga Qeveria në këndvështrimin e pjesës procedurale të nenit 2 të Konventës, dhoma ka kërkuar pikësëpari nëse ky prapësim ishte i bazuar ose jo. Për këtë qëllim, ajo ka kaluar në revistë jurisprudencën përkatëse të Gjykatës dhe parimet që i përcaktojnë kufijtë kohorë të detyrimeve procedurale të shtetit ashtu siç janë parashtruar ato në vendimin Šilih k. Sllovenisë ([DhM], nr. 71463/01, §§ 160-163, 9 prill 2009) dhe zbatuar në një varg çështjesh të të njëjtit lloj lidhur me Rumaninë, me Ukrainën dhe me Kroacinë.
104. Për sa i përket kriterit të parë, konkretisht ekzistencës së nevojshme të një “lidhjeje të vërtetë”, të përmendur në fjalinë e parë të paragrafit 163 të vendimit Šilih, dhoma ka thënë se ky kriter plotësohej vetëm në qoftë se koha e kaluar midis faktit në zanafillë dhe datës së ratifikimit mbetej relativisht e shkurtër. Përveç kësaj, ajo ka theksuar se një pjesë e rëndësishme e masave hetimore të kërkuara për të siguruar respektimin e detyrimit procedural që rrjedh nga neni 2 duhej të ishin ekzekutuar pas datës së ratifikimit. Mirëpo ajo ka çmuar se asnjëri nga këto dy kushte nuk ishte plotësuar në këtë çështje ku koha e kaluar ndërmjet datës së vdekjeve (1940) dhe asaj të ratifikimit (5 maj 1998) ishte në mënyrë absolute tepër e gjatë për të përmbushur kriterin e “lidhjes së vërtetë”. Po ashtu, ajo nuk ka mundur të zbulojë as në dosje, as në vërejtjet e palëve, as edhe elementin më të vogël që të tregojë që pas datës së ratifikimit të jenë marrë masa procedurale të një rëndësie të krahasueshme me ato të marra përpara kësaj date.
105. Dhoma kërkoi pastaj nëse rrethanat e çështjes në fjalë lejonin de dilej në përfundimin që lidhja midis faktit të zanafillës dhe ratifikimit ishin të bazuara në “nevojën për t’u kujdesur për mbrojtjen efektive të garancive të Konventës dhe të vlerave që e nënkuptojnë këtë të fundit” (§ 139), siç tregohet në fjalinë e fundit të paragrafit 163 të vendimit Šilih. Ishte fjala për çështjen e parë ku Gjykatës i kërkohej ta interpretonte këtë kriter. Dhoma, duke u frymëzuar nga vendimi Brecknell k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 32457/04, 27 nëntor 2007), e komentoi atë me këto fjalë:
“Duke mos qenë aspak i rastësishëm, referimi ndaj këtyre vlerave tregon se, që të vërtetohet një lidhje e tillë, ngjarja në fjalë duhet të jetë me një përmasë më të gjerë sesa një vepër penale ordinere dhe të përbëjë mohimin e vetë themeleve të Konventës, për shembull një krim lufte ose një krim kundër njerëzimit. Sado që këto krime janë të paparashkrueshme në bazë të Konventës për Paparashkrueshmërinë e Krimeve të Luftës dhe të Krimeve Kundër Njerëzimit (...), gjithsesi shteti nuk e ka pafundësisht detyrimin për të hetuar lidhur me to. Megjithatë, detyrimi procedural mund të rilindë në qoftë se pas datës kritike publikut i zbulohen elemente që mendohet se hedhin një dritë të re mbi rrethanat e krimeve të tilla. Në mënyrë që të rishfaqet detyrimi për të hetuar i cili rrjedh nga neni 2 i Konventës, duhet të ketë më shumë sesa një pohim apo pretendim të thjeshtë. Duke pasur parasysh rëndësinë themelore të kësaj dispozite, autoritetet e shtetit duhet të jenë të ndjeshme ndaj çdo informate a dokumenti që mund ose të vërë në pikëpyetje përfundimet e një hetimi të mëparshëm, ose të mundësojë vazhdimin e një hetimi të mëparshëm jo bindës (...). Në rast se pas ratifikimit shfaqet një element i ri aq i rëndësishëm e i fuqishëm saqë e përligj çeljen e një instance të re, atëherë Gjykata do ta ketë kompetencën ratione temporis për të shqyrtuar nëse shteti i paditur e ka përmbushur në mënyrë të pajtueshme me parimet e parashtruara në jurisprudencën e saj detyrimin procedural që i ngarkon atij neni 2.” (paragrafi 139; pa referencat)
106. Duke i zbatuar këto parime në çështjen në fjalë, dhoma ka dalë në përfundimin se masakrimi i robërve polakë nga policia e fshehtë sovjetike i paraqiste karakteristikat e një krimi lufte, por se pas 5 majit 1998 nuk ishte paraqitur ose zbuluar asnjë element prove i tillë që, për vetë natyrën apo përmbajtjen e tij, ta ringjallte detyrimin procedural për të hetuar ose për të ngritur pikëpyetje të reja ose më të gjera. Ajo ka nxjerrë andej përfundimin se asgjë nuk e mundësonte krijimin e një ure midis së kaluarës së largët dhe periudhës së vonë pas ratifikimit dhe se nuk vërtetohej ekzistenca e rrethanave të posaçme që ta përligjnin vendosjen e një lidhjeje midis vdekjeve dhe ratifikimit.
107. Në dritën e këtyre konsideratave, dhoma ka dalë në përfundimin se Gjykata nuk e kishte kompetencën ratione temporis për ta shqyrtuar në themel pretendimin e ngritur në fushën e nenit 2 të Konventës.
B. Tezat e palëve
1. Qeveria ruse
108. Qeveria çmon se, në rrafshin juridik, ka vend për të bërë dallimin midis një shkeljeje të Konventës të ndodhur gjatë periudhës që del jashtë kompetencës ratione temporis të Gjykatës dhe një shkeljeje të Konventës “juridikisht të paqenë” për arsyen se, në periudhën e marrë në shqyrtim, Konventa nuk ekzistonte. Për mendimin e saj, këtu bëhet fjalë për një dallim kyç, meqenëse detyrimet procedurale që rrjedhin nga neni 2 i bashkuar me nenin 1 të Konventës mund t’i krijojë sipas saj për shtetin vetëm shkelja e nenit 2 në pjesën e tij materiale “juridikisht të paqenë” – edhe sikur ajo të ketë ndodhur jashtë kompetencës ratione temporis të Gjykatës. Në çështjet e shqyrtuara më parë nga Gjykata, faktet që e ngjallin detyrimin për të hetuar paskan ndodhur pas miratimit të Konventës, kurse në çështjen në fjalë jo vetëm që shkelja e pretenduar e nenit 2 në pjesën e tij materiale dalka jashtë kompetencës kohore të Gjykatës, por ajo qenka edhe juridikisht e paqenë, ngaqë “ngjarjet e Katinit” kanë ndodhur dhjetë vjet përpara miratimit të Konventës, të bërë më 4 nëntor 1950, dhe pesëdhjetë e tetë vjet përpara ratifikimit të saj nga Rusia, të bërë më 5 maj 1998. Qeveria e sheh këtë si një pengesë lidhur me mundësinë e shqyrtimit nga ana e Gjykatës për sa i përket pikës së respektimit nga Rusia të detyrimeve procedurale që i bien asaj. Ajo çmon nga ana tjetër se Gjykata nuk ka kompetencë ratione materiae për ta cilësuar masakrën e Katinit si “krim lufte” në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare.
109. Qeveria mbron mendimin se asnjë detyrim për të hetuar rreth “ngjarjeve të Katinit” nuk mund të paraqitet si i lindur, qoftë në vështrim të së drejtës së brendshme, qoftë në atë të së drejtës ndërkombëtare humanitare apo në fushën e Konventës. Në shkallën kombëtare qenka kryer një hetim lidhur me një vepër penale (shpërdorim detyre me pasoja të rënda, në rrethana rënduese) të dënueshme sipas nenit 193-17 b) të Kodit Penal të vitit 1926 të Republikës Socialiste Federative Sovjetike të Rusisë (“RSFSR”), i cili e lidhte atë me një afat parashkrimi dhjetëvjeçar. Kodi rus i Procedurës Penale i asaj kohe paska diktuar pushimin e çështjes pas kalimit të këtij afati. Për më tepër, pjesëtarët e NKVD-së së BRSS-së paskëshin vdekur para nisjes së hetimit penal. Nga pikëpamja e procedurës penale ruse, vdekja e tyre përbëka një shkak juridik më vete që e pengon nisjen apo vazhdimin e një ndjekjeje penale kundër tyre. Në të drejtën ndërkombëtare, vdekja e të dyshuarve apo e të akuzuarve qenka gjithashtu një arsye e pranuar përgjithësisht për të mos pranuar nisjen ose për të pushuar ndjekjen penale (Qeveria citon vendimin e dhënë më 21 maj 2007 nga dhoma e shkallës së parë e Gjykatës së Posaçme për Sierra Leonen në çështjen Prosecutor v. Norman, Fofana and Kondewa, SCSL-04-14-T-776, dhe urdhërin që i jepte fund procedurës së nisur kundër Sllobodan Millosheviçit, të dhënë më 14 mars 2006 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, IT-02-4, në çështjen Prosecutor v. Slobodan Milošević). Për mendimin e Qeverisë, është e qartë se hetimi rreth dosjes penale nr. 159 është ndjekur “në shkelje të kërkesave të procedurës penale, për arsye politike, si një gjest vullneti të mirë ndaj autoriteteve polake”.
110. Për sa i përket së drejtës ndërkombëtare humanitare, Qeveria çmon se, të paktën deri më 1945, nuk kishte asnjë rregull botërisht të zbatueshëm të drejte ndërkombëtare që t’i përcaktonte krimet e luftës ose krimet kundër njerëzimit apo që të caktonte ndarjen e përgjegjësive dhe ndjekjen ndaj autorëve të krimeve të tilla. Meqenëse Gjykata e Nurembergut ishte krijuar mbi një bazë ad hoc, rrezja e veprimit të Kartës së Nurembergut, duke përfshirë këtu edhe dispozitat e saj që përkufizonin krimet të cilat i nënshtroheshin juridiksionit të saj, qenka kufizuar vetëm te proceset e ndjekura përpara saj kundër kriminelëve të mëdhenj të luftës së fuqive evropiane të Boshtit. Qeveria nxjerr këndej përfundimin se e drejta ndërkombëtare, ashtu siç ekzistonte ajo më 1940, nuk ofronte një bazë të mjaftueshme për t’i cilësuar “ngjarjet e Katinit” si krim lufte, si krim kundër njerëzimit apo si gjenocid, përveçse në rastin nëse mendohet se ato mund t’u viheshin në ngarkim kriminelëve të mëdhenj evropianë të Boshtit dhe se i takonin kompetencës së Gjykatës së Nurembergut. Megjithatë, me kërkesën e autoriteteve polake, hetuesit rusë e paskan shqyrtuar “tezën e gjenocidit” dhe paskan dalë në përfundimin e mungesës së një krimi të tillë, duke qenë të mendimit se shkaqet që i kanë shtyrë të dyshuarit ishin të një natyre thjesht kriminale dhe nuk kishin të bënin me një qëllim për të shfarosur, tërësisht apo pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar (për të përsëritur nenet 2 e 3 të Konventës së 9 dhjetorit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit).
111. Për sa i përket detyrimit procedural për të hetuar, i cili rrjedhka nga Konventa, Qeveria ripohon në radhë të parë se hetimi rreth dosjes penale nr. 159 është ndjekur për arsye politike, në shenjë vullneti të mirë, dhe se ai nuk mund të vlerësohet pra sipas kutit të kërkesave procedurale të nenit 2. Ajo çmon së dyti se vetëm ngjarjet e ndodhura pas miratimit të Konventës janë ato që mund të bëjnë që të lindë ndonjë farë detyrimi procedural. Së treti, ajo është mendimit se nuk ka arsye që autoritetet ruse të qortohen se nuk kanë kryer një hetim efektiv rreth pesëdhjetë e tetë vjet pas fakteve, ndërkohë që nuk paskan qenë më gjallë dëshmitarët dhe qenkan shkatërruar dokumentet thelbësore. Si argument dytësor, ajo mbrohet duke thënë se Konventa “nuk dikton (...) asnjë detyrim specifik për të ndrequr padrejtësitë apo dëmet e shkaktuara përpara [ratifikimit të saj]” (ajo citon vendimin Kopecký k. Sllovakisë [DhM], nr. 44912/98, § 38, GjEDNj 2004‑IX). Me fjalë të tjera, përderisa nuk paska kompetencë ratione temporis për të shqyrtuar rrethanat e një vdekjeje, Gjykata nuk mundka të vendosë nëse kjo e fundit ka bërë që të lindë ose jo ndonjë detyrim procedural në fushën e nenit 2 (Qeveria citon lidhur për këtë qëllim vendimet Kholodovy k. Rusisë (vend. pran.), nr. 30651/05, 14 shtator 2006, dhe Moldovan me të tjerë k. Rumanisë (vend. pran.), nr. 41138/98 e nr. 64320/01, 13 mars 2001).
112. Për sa i përket mundësisë së shkëputjes nga detyrimi procedural, Qeveria mbron mendimin se jo çdo vdekje e bën të lindë një detyrim të tillë dhe se Gjykatës i duhet të shohë fillimisht se a janë rrethanat e vdekjes me një natyrë të tillë që e fut atë në lojë. Ajo shton megjithatë se, në qoftë se vdekja ka ndodhur përpara datës së ratifikimit, Gjykata nuk ka kompetencë ratione temporis për t’i hyrë një analize të tillë. Për më tepër, parimi i mundësisë së shkëputjes duhet të shoqërohet me disa kufizime, nëse duam të shmangim një shtrirje të paparashikueshme të kompetencës së Gjykatës dhe të fushës së zbatimit të Konventës. Së pari, koha e kaluar u dashka të jetë relativisht e shkurtër. Mirëpo nuk qenka kështu në rastin e çështjes në fjalë. Së dyti, një pjesë e rëndësishme e masave hetimore u dashka të jenë kryer pas datës së ratifikimit. Mirëpo, në çështjen në fjalë nuk qenka plotësuar as ky kriter. Së fundi, lidhur me nevojën për të garantuar një mbrojtje reale dhe efektive të vlerave mbi të cilat mbështetet Konventa, Qeveria e pranon që ngjarja në fjalë duhet të jetë me përmasa më të gjera sesa një vepër penale ordinere. Ajo është gjithsesi e mendimit se Gjykata nuk ka kompetencë as ratione temporis, as ratione materiae, për t’i analizuar “ngjarjet e Katinit” në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare.
113. Qeveria nënvizon se masat kryesore procedurale në hetimin për këto ngjarje janë zbatuar të gjitha midis viteve 1990 e 1995 dhe se asnjë “element i ri” thelbësor nuk është shfaqur pas 5 majit 1998. Në kundërshtim me mendimin që mbron qeveria polake, vendimi për t’i klasifikuar disa dokumente nuk përbëka dot një “element të ri” që mund ta bëjë të (ri)lindë detyrimin procedural që rrjedh nga neni 2. E njëjta gjë vlejtka edhe për zbulimin e pretenduar të listës ukrainase më 2002, i cili paska çuar vetëm në një kërkesë për sqarime nga ana e autoriteteve ukrainase.
2. Paditësit
114. Paditësit e pranojnë që masakra e kryer në Katin më 1940 është një fakt që del jashtë fushës kohore të zbatimit të Konventës dhe që Gjykata nuk ka kompetencë ratione temporis për të hetuar në fushën e pjesës materiale të nenit 2. Ata çmojnë megjithatë se Gjykata u dashka të ketë kompetencë për të parë nëse Rusia e ka respektuar detyrimin procedural që rrjedh prej nenit 2, i cili qenka një detyrim më vete dhe autonom që i diktohet shtetit, sado që vdekjet paskan ndodhur përpara datës së ratifikimit të Konventës.
115. Paditësit janë të mendimit se lidhja e vërtetë e nevojshme për vendosjen e kompetencës kohore të Gjykatës duhet të mbështetet para së gjithash te “nevoja për të verifikuar që garancitë e ofruara nga Konventa dhe vlerat ku bazohet ajo [janë mbrojtur] në mënyrë reale dhe efektive” (ata përmendin vendimin Šilih, të cituar më lart, § 163 in fine). Në çështje të mëparshme, Gjykata u qenka referuar “vlerave ku bazohet Konventa” për të dalë në përfundimin se disa raste të gjuhës së urrejtjes, për shembull thënie që mohojnë Holokaustin apo që bëjnë apologjinë e krimeve të luftës, ishin të papajtueshme me vlerat e Konventës (paditësit rikujtojnë çështjet Garaudy k. Francës (vend. pran.), nr. 65831/01, GjEDNj 2003‑IX; Witzsch k. Gjermanisë (vend. pran.), nr. 7485/03, 13 dhjetor 2005, dhe Orban me të tjerë k. Francës, nr. 20985/05, § 35, 15 janar 2009). Përderisa disa thënie që e mohojnë vërtetësinë e krimeve sipas së drejtës ndërkombëtare qenkan gjykuar kështu si në kundërshtim me vlerat ku bazohet Konventa, i njëjti arsyetim vlejtka a fortiori edhe për vetë krimet që i nëpërkëmbin në mënyrë thelbësore drejtësinë dhe paqen, vlerat themelore të Konventës sipas fjalëve të hyrjes së saj. Përmendja në paragrafin 163 të vendimit Šilih të vlerave ku bazohet Konventa treguaka se ka shembuj faktesh të kundërta me vetë themelet e Konventës, natyra, përmasat dhe serioziteti i të cilave e përligjin që Gjykata të ketë kompetencë ratione temporis për ta shqyrtuar detyrimin që i takon shtetit për të kryer një hetim efektiv.
116. Te masakra e Katinit, paditësit shohin një krim sipas së drejtës ndërkombëtare. Ushtarët polakë të kapur nga Ushtria e Kuqe paskan pasur të drejtë për mbrojtjen e plotë, sidomos ndaj veprimeve të dhunës e të mizorisë, që u garantohet robërve të luftës nga Konventa e Katërt e Hagës e vitit 1907 dhe nga Konventa e Gjenevës e vitit 1929. Vrasja e robërve të luftës polakë më 1940 paska qenë një veprim i paligjshëm në kundërshtim me nenet 4, 23 c) e 50 të Konventës së Katërt të Hagës dhe me nenet 2, 46, 61 e 63 të Konventës së Gjenevës. Sigurisht, BRSS-ja nuk paska qenë palë as në njërën, as në tjetrën nga këto konventa, por kjo nuk e bënte atë aspak më pak të detyruar për t’i respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare zakonore të zbatueshme në mënyrë të përbotshme, që këto dy traktate vetëm sa i paskëshin kodifikuar. Pranimi i karakterit juridikisht imponues të këtij detyrimi nga ana e BRSS-së dalka nga fakti se, në procesin e Nurembergut, prokurori sovjetik paska kërkuar që vrasjen e robërve të luftës polakë t’ua vërë në ngarkim udhëheqësve nazistë. Shfarosja e këtyre të fundit paska përbërë një krim lufte në kuptimin e nenit 6 b) të Kartës së Nurembergut, kurse ekzekutimi i civilëve një krim kundër njerëzimit sipas përkufizimit të nenit 6 c) të po kësaj karte. Cilësimi si krim lufte për masakrën e Katinit, ashtu siç është pretenduar në Gjykatën e Nurembergut, paska sipas paditësve një karakter objektiv dhe nuk ndryshuaka në varësi të identitetit të autorëve të këtyre mizorive. Për më tepër, bashkësia ndërkombëtare e konsideruaka dhe e trajtuaka ekzekutimin e robërve të luftës si një krim lufte, siç e treguaka në mënyrë bindëse jurisprudenca e bollshme e nxjerrë nga proceset e kriminelëve të luftës të mbajtura të nesërmen e luftës. Si krim sipas së drejtës ndërkombëtare në sytë e paditësve, masakra e Katinit paska qenë e paparashkrueshme në datën e kryerjes së saj, ashtu siç qenka edhe sot, dhe detyrimi i njëkohshëm për hetim paska mbetur në fuqi deri në ditët e sotme.
117. Paditësit përmendin përveç kësaj dy elemente që e vërtetojnë sipas tyre tezën e kompetencës së Gjykatës për të marrë vendim rreth respektimit nga ana e Rusisë të detyrimit procedural që rrjedh nga neni 2. Së pari, Këshilli i Evropës dhe Konventa paskan lindur si zgjidhje politike dhe juridike me karakter demokratik që mendohej se do t’u zinin vendin cenimeve masive të dinjitetit njerëzor të kryera nga ana e dy regjimeve totalitare, nazizmi dhe stalinizmi. Masakra e Katinit qenka kryer nga një regjim totalitar me parime e vlera në kundërshtim të plotë me ato të Konventës. Për ta mbrojtur Konventën në mënyrë reale dhe efektive, u dashka pra që Palët Kontraktuese të tanishme të hetojnë në mënyrë efektive rreth krimeve totalitare. Së dyti, një hetim i kësaj natyre rreth masakrës së Katinit qenka një parakusht i domosdoshëm për “rehabilitimin” e personave të vrarë si viktima të një shtypjeje politike dhe për një sensibilizim më të mirë të publikut ndaj krimeve totalitare.
118. Paditësit çmojnë nga ana tjetër se, edhe po të merret parasysh “kriteri i elementit të ri” i përpunuar dhe i zbatuar në vendimin e dhomës, Gjykata mund të ketë kompetencë për ta shqyrtuar çështjen e respektimit nga Rusia të detyrimit procedural që rrjedh nga neni 2 nëse mendohet se elementi i ri që kërkohet nuk duhet të jetë medoemos një provë e re e rëndësishme e shfaqur pas ratifikimit, por mund të jetë edhe një element procedural i ri dhe me rëndësi të mjaftueshme. Sipas tyre, ky kriter u dashka të përfshijë gjithashtu ato raste kur autoritetet e brendshme nuk kanë mbledhur me dashjen e tyre elemente të reja ose kanë dalë në përfundime diametralisht të kundërta me konstatime të mëparshme ose me fakte historike. Paditësit çmojnë se, sado që vendimi për t’i dhënë fund hetimit nuk është në vetvete një element i ri i këtij të fundit, ai nuk mund të paraqitet sikur përbën një episod të ri procedural që duhet të merret parasysh në fushën e nenit 2 të Konventës, kryesisht ngaqë ai përfaqëson sipas tyre një kthesë të papritur në rrjedhën e hetimit. Përveç kësaj, përderisa një pjesë e madhe e dokumenteve të dosjes hetimore u bënë të klasifikuara dhe i njëjti fat iu caktua edhe vendimit përfundimtar lidhur me çështjen, sipas tyre ka arsye të fuqishme për të pandehur që kthesa e papritur dhe rrënjësore në rrjedhën e hetimit duhet të ketë qenë rezultat i disa elementeve të reja me rëndësi për çështjen.
119. Në lidhje me pretendimin e ngritur në bazë të nenit 2, paditësit çmojnë se hetimi rus nuk i ka plotësuar kërkesat elementare të kësaj dispozite. Autoritetet ruse nuk e paskan përligjur diferencën ndërmjet numrit të personave të vrarë (21 857) dhe numrit qartësisht më të ulët të personave për të cilët hetimet kanë treguar se kanë “gjetur vdekjen” (1 803). Ato nuk paskan kryer gërmime të plota në të gjitha varret masive. Paditësve u qenka mohuar statusi i palëve të dëmtuara në suazën e procedurave, kështu që hetimit i paska munguar transparenca. Së fundi, hetimet nuk paskan synuar identifikimin e autorëve të mizorive dhe dërgimin e tyre para drejtësisë. Paditësit përmendin me emra dy zyrtarë të lartë sovjetikë të cilët paskan qenë të përzier në masakrën e Katinit e që paskan qenë ende gjallë në vitet 1990.
3. Qeveria polake
120. Qeveria polake mbron mendimin se interpretimi i “kriterit të rrethanave të posaçme” që ajo nxjerr nga fjalia e fundit e paragrafit 163 të vendimit Šilih duhet të marrë parasysh veçantinë e veprimeve të kryera, të cilat përbëjnë sipas saj krime lufte në vështrim të së drejtës ndërkombëtare. Ajo çmon nga ana tjetër që Gjykata u dashka të ketë parasysh elementet e mëposhtme: së pari, hetimet rreth masakrës së Katinit paskan qenë politikisht të pamundura përpara vitit 1990; së dyti, hetimet e hapura paskan vazhduar për gjashtë vjet pas ratifikimit të Konventës nga Rusia; së treti, numri i personave të interesuar me të drejtë për zbulimin e rrethanave të masakrës nuk qenka i papërfillshëm; dhe, së katërti, vazhdimi i hetimit qenka ende i mundur në shumë mënyra.
121. Qeveria polake shton se, midis viteve 1998 dhe 2004, në suazën e hetimit rreth masakrës së Katinit, autoritetet e prokurorisë ruse kanë kryer një numër të caktuar veprimesh procedurale që kanë lejuar sipas saj të grumbullohen elemente të reja prove të cilat mund ta « bëjnë të lindë përsëri » detyrimin procedural që rrjedh nga neni 2. Midis këtyre elementeve u përfshikan: 1) letrat e këmbyera më 2002 ndërmjet prokurorëve rusë e ukrainas lidhur me krimin e Katinit; 2) dërgimi i mbi 3 000 kërkesave për marrje të dhënash qendrave për të dhënat me karakter personal në Rusi lidhur me fatin e shtetasve polakë emrat e të cilëve ishin të regjistruar në “listën ukrainase të Katinit”; 3) konsultimet dypalëshe ruso-polake; 4) hartimi i mbi 90 kërkesave nga të afërm të viktimave të Katinit; 5) porositja e dy ekspertizave lidhur me cilësimin juridik të masakrës së Katinit; dhe 6) vendimi për klasifikimin e dokumenteve të dosjes hetimore.
122. Për sa i përket themelit të pretendimit të ngritur në fushën e nenit 2, qeveria polake çmon se hetimi rreth ngjarjeve të Katinit nuk ka qenë efektiv. Ndërkohë që prokurorët rusë e paskan ripohuar ekzekutimin e të afërmve të paditësve më 1940, gjykatat ushtarake ruse i paskan shpallur ata të zhdukur. Autoritetet ruse nuk i paskan mbledhur deponimet e paditësve dhe nuk paskan bërë as përpjekjen më të vogël për të kryer ekzaminimet mjekoligjore apo për të kërkuar dokumente. Ato i paskan analizuar keq provat që u qenkan dorëzuar nga pala polake dhe e paskan cilësuar gabimisht masakrën e Katinit si shpërdorim pushteti. Paditësve iu qenkan mohuar e drejta për t’iu bashkuar hetimit dhe cilësia ligjore si palë të dëmtuara. Së fundi, duke klasifikuar një pjesë të mirë të dokumenteve të dosjes, autoritetet ruse nuk paskan ruajtur një baraspeshë të drejtë midis interesit publik që të hidhet dritë mbi krimet e së kaluarës totalitare dhe interesit privat të paditësve për përcaktimin e rrethanave të vdekjes së të afërmve të tyre.
4. Palët e treta
a) Open Society Justice Initiative
123. Open Society Justice Initiative mbron mendimin se Konventa dhe e drejta ndërkombëtare zakonore i detyrojnë shtetet për të kryer hetime rreth krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit për aq kohë sa kjo gjë të jetë konkretisht e realizueshme. Ky detyrim rrjedhka në mënyrë të nënkuptuar nga paparashkrueshmëria e këtyre krimeve dhe nuk qenka aspak i kufizuar në kohë. Sigurisht, kalimi i kohës e bëka gjithnjë e më të vështirë kryerjen e një hetimi efektiv, por praktika e tanishme e gjykatave kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat e deklaruakan veten kompetente lidhur me shkeljet e kaluara, treguaka se është e mundur që ndjekja të bëhet madje edhe shumë dhjetëvjeçarë pas fakteve të zanafillës. Pala e tretë përmend vendimet e dhëna nga Gjykata në çështjet Brecknell k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 32457/04, 27 nëntor 2007) dhe Varnava me të tjerë k. Turqisë ([DhM], nr. 16064/90 etj., GjEDNj 2009), si edhe jurisprudencën e Gjykatës Ndëramerikane të të Drejtave të Njeriut (“GjNADNj”) në çështjet Heliodoro Portugal k. Panamasë (vendim i 12 gushtit 2008) dhe Gomes Lund k. Brazilit (vendim i 27 nëntorit 2010). Ajo mbron mendimin se një hetim efektiv rreth krimeve të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore mbetet i mundshëm pas vitit 1998. Ajo përmend si shembull hetimet rreth krimeve naziste të kryera në Gjermani, në Hungari, në Itali e në Poloni, disa prej të cilave paskan përfunduar me dënime pavarësisht moshës së të akuzuarve. Për më tepër, më 2012, një gjykatë britanike paska lejuar nisjen e një veprimi civil për dëmshpërblim kundër qeverisë britanike për arsye veprimesh torture që qenkëshin kryer gjatë kryengritjes keniane ndërmjet viteve 1952 e 1961.
124. Pala e tretë mbron nga ana tjetër mendimin se e drejta për të vërtetën, në dimensionin e saj individual, nënkupton mundësinë për të pasur qasje në rezultatet e hetimit, si edhe në dosjet e arkivuara dhe në dosjet e hetimeve në zhvillim e sipër. Përhapja e këtyre informacioneve qenka thelbësore për parandalimin e shkeljeve, për luftën kundër pandëshkueshmërisë dhe për ruajtjen e besimit të publikut te shteti i së drejtës (ajo citon vendimin Kelly me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 30054/96, § 118, 4 maj 2001). Sa herë që fjala qenka për të drejtën për të vërtetën, klasifikimi i informacioneve që kanë të bëjnë me shkelje të të drejtave të njeriut u lejuaka vetëm në rrethana të jashtëzakonshme ku vihet në rrezik një interes jetik i shtetit, nën kontrollin e pavarur të një gjyqtari, për njëfarë kohe të kufizuar dhe me kusht që të mos ketë asnjë zgjidhje tjetër më pak kufizuese. Dhe pala e tretë paraqet konkluzionet e një studimi rreth ligjeve që përcaktojnë të drejtën për informim në 93 shtete, nga dalka se 44 prej tyre e bëjnë shprehimisht të detyrueshëm njoftimin e informacioneve në qoftë se interesi që ka kjo gjë për publikun qëndron mbi çdolloj interesi për sekretin. Rindërtimi objektiv i së vërtetës rreth prapësive të së kaluarës qenka thelbësor për t’u dhënë mundësi kombeve që të nxjerrin mësimet e duhura nga historia e tyre dhe të marrin masa për të parandaluar mizori të tjera në të ardhmen (UNHCR, Tërësi e përditësuar parimesh për mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut përmes luftës kundër padëshkueshmërisë, Rezoluta 2005/81, 8 shkurt 2005, parimet 2 e 3).
b) Amnesty International
125. Amnesty International mbron mendimin se detyrimi për të hetuar rreth krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit gjen zbatim edhe për krimet e kryera përpara hartimit e hyrjes në fuqi të Konventës. Vrasja dhe keqtrajtimi i robërve të luftës dhe i civilëve paskan qenë të ndaluar nga e drejta ndërkombëtare zakonore më 1939 dhe shtetet e paskan pasur detyrimin për të nisur hetime dhe ndjekje penale lidhur me krimet e luftës shumë më parë sesa viti 1939, pa kurrfarë parashkrimi ligjor (citohen vendimi Kononov k. Letonisë [DhM], nr. 36376/04, §§ 186 e 232, GjEDNj 2010, dhe vendimet e dhëna nga GjNADNj-ja në çështjet Velásquez Rodríguez k. Hondurasit, 29 korrik 1988, § 174, dhe Gomes Lund k. Brazilit, 24 nëntor 2010, § 108). Pala e tretë thekson se GjNADNj-ja ka dalë disa herë në përfundimin se ka pasur shkelje të detyrimit për të hetuar, për të ndjekur penalisht e për të ndëshkuar lidhur me fakte të ndodhur përpara ratifikimit të Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut nga ana e shtetit të paditur (citohen vendimet Gomes Lund dhe Almonacid Arellano k. Kilit, 26 shtator 2006, § 151). Ajo çmon se kalimi i kohës nuk ka kurrfarë ndikimi mbi detyrimin e shtetit për të kryer një hetim dhe për t’u ofruar viktimave mjete ligjore të përshtatshme dhe efektive. E drejta e viktimave për të pasur qasje efektive në drejtësi i përmbledhka të drejtën për t’u dëgjuar dhe të drejtën për zhdëmtim të plotë, ku u përfshikan elementet e mëposhtme: kthimi, zhdëmtimi, rehabilitimi, shpërblimi dhe garancitë e mospërsëritjes (citohen konkluzionet e GjNADNj-së në vendimin e saj Gomes Lund – §§ 261-262, 277 e 297). Së fundi, pala e tretë, edhe këtu duke përmendur vendimin Gomes Lund (§§ 241-242), mbron mendimin se mungesa e një hetimi efektiv cenon të drejtën e familjeve për t’u trajtuar me njerëzi.
c) Memorial (Moskë), EHRAC (Londër) dhe Transitional Justice Network (Eseks)
126. Këto tri organizata mbrojnë mendimin se tekstet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, sistemi ndëramerikan i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe e drejta ndërkombëtare e konventave e parashikojnë detyrimin për të nisur hetime dhe ndjekje penale lidhur me krimet e luftës, me qëllim që viktimave, familjeve të tyre, publikut në përgjithësi dhe bashkësisë ndërkombëtare t’u jepen informacione të sakta dhe transparente rreth shkeljeve. Tek e drejta e familjeve për ta ditur fatin e të afërmve të tyre të zhdukur a të vdekur, ato shohin një pjesë autonome të detyrimit për kryerje hetimesh, i cili përbëka një normë të kodifikuar të së drejtës ndërkombëtare zakonore (ato citojnë në veçanti rregullin 117 të parashtruar te Droit international humanitaire coutumier, Volume I : Règles, një studim rreth së drejtës ndërkombëtare zakonore nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, 2005, si edhe jurisprudencën e GjNADNj-së). Ato përshkruajnë përveç kësaj edhe praktikat e ndjekura në shtetet e ndryshme, si krijimi i komisioneve të së vërtetës apo i organeve hetimore të ngjashme në kundërveprim ndaj kryerjes së krimeve ndërkombëtare, dhe japin veçanërisht informacione të hollësishme rreth atributeve dhe funksioneve të organeve të këtij lloji.
C. Vlerësimi i Gjykatës
127. Qeveria mbron paraprakisht idenë e moskompetencës ratione temporis të Gjykatës për të shqyrtuar themelin e pretendimit të ngritur nga paditësit në këndvështrimin e pjesës procedurale të nenit 2 të Konventës. Gjykata duhet pra të shprehet fillimisht rreth këtij prapësimi.
1. Parime të përgjithshme
128. Gjykata rikujton se dispozitat e Konventës nuk e kushtëzojnë një Palë Kontraktuese as lidhur me veprimet e me faktet e kryera përpara datës së hyrjes në fuqi të Konventës ndaj kësaj pale (“datës kritike”), as lidhur me situatat që kishin pushuar së ekzistuari përpara kësaj date. Këtu bëhet fjalë për një parim të përhershëm në jurisprudencën e Gjykatës, të mbështetur te rregulli i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare i cili sanksionohet nga neni 28 i Konventës së Vjenës të 23 majit 1969 për të drejtën e traktateve (Varnava me të tjerë k. Turqisë [DhM], nr. 16064/90, 16065/90, 16066/90, 16068/90, 16069/90, 16070/90, 16071/90, 16072/90 e 16073/90, § 130, GjEDNj 2009; Šilih k. Sllovenisë [DhM], nr. 71463/01, § 140, 9 prill 2009, dhe Blečić k. Kroacisë [DhM], nr. 59532/00, § 70, GjEDNj 2006‑III).
129. Kur një veprim, një mosveprim ose një vendim i paraqitur si në kundërshtim me Konventën kanë ndodhur para hyrjes në fuqi të Konventës, por procedura për të fituar ndreqjen e tyre është nisur ose ka vazhduar pas kësaj date, kjo procedurë nuk mund të konsiderohet sikur përfshihet në faktet që përbëjnë shkeljen e pretenduar dhe nuk e fut çështjen në kompetencën kohore të Gjykatës (Varnava me të tjerë, i cituar më lart, § 130, dhe Blečić, i cituar më lart, §§ 77-79).
130. Ndonëse është e vërtetë që, duke nisur nga data kritike, të gjitha veprimet e mosveprimet e shteteve kontraktuese duhet të jenë në përputhje me Konventën, kjo e fundit nuk u dikton atyre asnjë detyrim specifik për t’i ndrequr padrejtësitë ose dëmet e shkaktuara përpara kësaj date (Kopecký k. Sllovakisë [DhM], nr. 44912/98, § 38, GjEDNj 2004‑IX). Kështu, për të vendosur kompetencën kohore të Gjykatës, është thelbësore që në çdo çështje të dhënë të lokalizohet në kohë ndërhyrja e pretenduar. Gjykata duhet të marrë parasysh për këtë qëllim si faktet për të cilat ankohet paditësi ashtu edhe rrezen e veprimit të së drejtës së garantuar nga Konventa që pretendohet se është shkelur (Varnava me të tjerë, i cituar më lart, § 131, dhe Blečić, i cituar më lart, §§ 72 e 81-82).
131. Gjykata ka marrë vendim për një numër të caktuar çështjesh në të cilat faktet që kishin të bënin me pjesën materiale të nenit 2 ose të nenit 3 dilnin jashtë kompetencës së saj kohore, kurse faktet që kishin të bënin me pjesën procedurale të bashkëlidhur, domethënë me procedurën e mëvonshme, i përkisnin së paku pjesërisht kompetencës së saj (për një përmbledhje të jurisprudencës, shih vendimin Šilih të cituar më lart, §§ 148-152).
132. Ajo ka dalë aty në përfundimin se detyrimi procedural që rrjedh nga neni 2 për të kryer një hetim efektiv kishte fituar një karakter më vete dhe autonom. Megjithëse ky detyrim buron nga fakte që i përkasin pjesës materiale të nenit 2, ai mund të konsiderohet si një detyrim më vete që rrjedh nga neni 2 dhe që mund t’i bjerë si barrë shtetit edhe kur vdekja ka ndodhur përpara datës kritike (Varnava me të tjerë, i cituar më lart, § 138, dhe Šilih, i cituar më lart, § 159).
133. Por, duke pasur parasysh parimin e sigurisë juridike, kompetenca kohore e Gjykatës për të verifikuar respektimin e detyrimit procedural që rrjedh nga neni 2 lidhur me një vdekje të ndodhur përpara datës kritike nuk është e pakufizuar (Šilih, i cituar më lart, § 161). Në vendimin Šilih, Gjykata i ka përkufizuar kështu caqet e kompetencës së saj kohore:
“162. Së pari, është e qartë se në rastin e një vdekjeje të ndodhur përpara datës kritike, kompetencës kohore të Gjykatës mund t’i përkasin vetëm veprimet dhe/ose mosveprimet me natyrë procedurale të ndodhura pas kësaj date.
163. Së dyti, në mënyrë që detyrimet procedurale të diktuara nga neni 2 të bëhen të zbatueshme, duhet të ekzistojnë një lidhje e vërtetë midis vdekjes dhe hyrjes në fuqi të Konventës ndaj shtetit të paditur.
Kështu, duhet të vërtetohet që pas kësaj date kritike janë marrë ose duhej të ishin marrë një pjesë e rëndësishme e masave procedurale të kërkuara nga kjo dispozitë – jo vetëm një hetim efektiv rreth vdekjes së personit për të cilin bëhet fjalë, por edhe nisja e një procedure të përshtatshme që synon të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe t’i detyrojë personat përgjegjës për t’u përgjigjur për veprimet e tyre.
Gjykata nuk e përjashton megjithatë se, në disa rrethana, kjo lidhje të mund të qëndrojë edhe te nevoja për të verifikuar se janë mbrojtur në mënyrë reale dhe efektive garancitë e ofruara nga Konventa dhe vlerat që e nënkuptojnë atë.”
134. Në vendimin Varnava me të tjerë, të cituar më lart, Gjykata ka dhënë disa shpjegime mbi dallimin e madh që duhet të bëhet ndërmjet detyrimit për të hetuar rreth një vdekjeje të dyshimtë dhe detyrimit për të hetuar rreth një zhdukjeje të dyshimtë:
“148. (...) Një zhdukje është një dukuri më vete, e cila karakterizohet nga një situatë ku të afërmit përballen në mënyrë të vazhdueshme me pasigurinë dhe me mungesën e shpjegimeve e të informimeve rreth asaj çka ka ndodhur, ngaqë elementet e lidhura me çështjen në këtë drejtim mundet nganjëherë të fshihen ose të errësohen me dashje (...). Kjo situatë vazhdon shpeshherë për shumë kohë, duke e zgjatur kështu mundimin e të afërmve të viktimës. Për këtë arsye, një zhdukje nuk barazohet dot me një veprim apo me një ngjarje “të atëçastshme”; elementi dallues shtesë që përbën mungesa e mëtejshme e shpjegimeve rreth asaj çka ka ndodhur me personin e zhdukur dhe rreth vendit ku ndodhet ai krijon një situatë të vazhdueshme. Për pasojë, detyrimi procedural mbetet potencialisht për aq kohë sa nuk është sqaruar fati i personit për të cilin bëhet fjalë; mungesa ngulmuese e hetimit të kërkuar do të konsiderohet se përbën një shkelje të vazhdueshme (...). Kështu ndodh edhe atëherë kur mund të hamendësohet më në fund se viktima ka vdekur.”
135. Gjykata ka theksuar madje se kërkesa e një afërsie midis vdekjes dhe masave hetimore, nga njëra anë, dhe datës së hyrjes në fuqi të Konventës ndaj shtetit të paditur, nga ana tjetër, (shih vendimin Šilih të cituar më lart), vlen vetëm në rast vrasjeje me dashje ose vdekjeje të dyshimtë, kur elementi faktik qendror, vdekja e viktimës, dihet me siguri, ndonëse shkaku i saktë ose përgjegjësia më e fundit nuk dihen. Në raste të tilla, detyrimi procedural nuk ka një karakter të vazhdueshëm (Varnava me të tjerë, i cituar më lart, § 149).
2. Jurisprudenca e kohëve të fundit
136. Pas vendimit Šilih, parimet që përcaktojnë kompetencën kohore të Gjykatës, kur është fjala për detyrimin “e shkëputshëm” që rrjedh nga neni 2 i Konventës për të hetuar rreth vdekjes së një personi, janë zbatuar në një numër të madh çështjesh.
137. Masa e këtyre të fundit mund të ndahet në grupe të ndryshme ku më të rëndësishmin e përbëjnë çështje të drejtuara kundër Rumanisë tek të cilat pretendohej joefektiviteti i hetimeve rreth vdekjeve të demonstruesve gjatë revolucionit rumun të dhjetorit 1989. Në këto çështje, Gjykata e ka deklaruar veten kompetente për shqyrtimin e ankimeve me arsyetimin se, në datën e hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rumanisë, procedurat ishin ende në vazhdim e sipër në prokurori (Shoqata “21 Dhjetori 1989” me të tjerë k. Rumanisë, nr. 33810/07 dhe nr. 18817/08, 24 maj 2011; Pastor e Ţiclete k. Rumanisë, nr. 30911/06 dhe nr. 40967/06, 19 prill 2011; Lăpuşan me të tjerë k. Rumanisë, nr. 29007/06, 30552/06, 31323/06, 31920/06, 34485/06, 38960/06, 38996/06, 39027/06 dhe 39067/06, 8 mars 2011; Şandru me të tjerë k. Rumanisë, nr. 22465/03, 8 dhjetor 2009, dhe Agache me të tjerë k. Rumanisë, nr. 2712/02, 20 tetor 2009). Ajo ka marrë vendim në mënyrë të ngjashme në dy çështje të mëvonshme të cilat kishin si objekt disa incidente të dhunshme të ndodhura në qershor 1990 (Mocanu me të tjerë k. Rumanisë, nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08, 13 nëntor 2012) e në shtator 1991 (Crăiniceanu e Frumuşanu k. Rumanisë, nr. 12442/04, 24 prill 2012).
138. Në çështje të tjera të kohëve të fundit – me përjashtim të çështjes Tuna k. Turqisë, që kishte në zanafillë një vdekje të ndodhur gjatë ndalimit në polici të ndodhur rreth shtatë vjet përpara se Turqia ta njihte të drejtën e ankimit individual (Tuna k. Turqisë, nr. 22339/03, §§ 57-63, 19 janar 2010) –, në të cilat nuk pretendohej që vdekja në fjalë të ishte pasojë e ndonjë veprimi nga ana e nëpunësve të shtetit, vdekja i paraprinte me një deri në katër vjet datës së hyrjes në fuqi dhe një pjesë e rëndësishme e procedurës ishte kryer pas kësaj date (Kudra k. Kroacisë, nr. 13904/07, §§ 110-112, 18 dhjetor 2012: katër vjet, vdekje aksidentale e shkaktuar nga pakujdesia e një shoqërie private; Igor Shevchenko k. Ukrainës, nr. 22737/04, §§ 45-48, 12 janar 2012: tre vjet, aksident qarkullimi; Bajić k. Kroacisë, nr. 41108/10, § 62, 13 nëntor 2012: katër vjet, gabim mjekësor; Dimovi k. Bullgarisë, nr. 52744/07, §§ 36-45, 6 nëntor 2012: tre vjet, vdekje e shkaktuar nga një zjarr; Velcea e Mazăre k. Rumanisë, nr. 64301/01, §§ 85‑88, 1 dhjetor 2009: një vit, grindje familjare; Trufin k. Rumanisë, nr. 3990/04, §§ 32-34, 20 tetor 2009: dy vjet, vrasje; dhe Lyubov Efimenko k. Ukrainës, nr. 75726/01, § 65, 25 nëntor 2010: katër vjet, vjedhje me armë dhe vrasje). Në dy çështje, fakti që të afërmit e paditësve ishin vrarë nga kryengritës ose nga formacione paraushtarake përkatësisht shtatë dhe gjashtë vjet përpara datës kritike nuk e ka penguar Gjykatën që ta shqyrtonte në themel ankimin e paraqitur në këndvështrimin e pjesës procedurale të nenit 2 (Paçacı me të tjerë k. Turqisë, nr. 3064/07, §§ 64-66, 8 nëntor 2011, dhe Jularić k. Kroacisë, nr. 20106/06, §§ 38 e 45-46, 20 janar 2011). As periudha prej trembëdhjetë vjetësh që kishte kaluar nga vdekja e të birit të paditësit gjatë një grindjeje deri në hyrjen në fuqi të Konventës ndaj Serbisë nuk është konsideruar si me epërsi kundrejt rëndësisë së akteve procedurale të kryera pas datës kritike (Mladenović k. Serbisë, nr. 1099/08, §§ 38-40, 22 maj 2012).
139. Gjykata ka marrë gjithashtu vendim edhe për një numër të caktuar çështjesh në të cilat paditësi thoshte se kishte qenë viktimë e një trajtimi të ndaluar nga neni 3 i Konventës në një kohë të caktuar përpara datës kritike. Ajo ka dalë në përfundimin se kishte kompetencë për ta verifikuar respektimin nga ana e shtetit të paditur – gjatë periudhës pas hyrjes në fuqi – të nenit 3 në pjesën e tij procedurale, i cili e detyronte atë që të kryente një hetim efektiv përkatësisht në një rast sjelljesh të ashpra policore (Yatsenko k. Ukrainës, nr. 75345/01, § 40, 16 shkurt 2012, dhe Stanimirović k. Serbisë, nr. 26088/06, §§ 28-29, 18 tetor 2011), në një rast marrëdhëniesh seksuale me dhunë (P.M. k. Bullgarisë, nr. 49669/07, § 58, 24 janar 2012) dhe në një rast keqtrajtimesh të shkaktuara nga një individ (Otašević k. Serbisë, nr. 32198/07, 5 shkurt 2013).
3. Sqarim i kritereve të përpunuara në vendimin Šilih
140. Pavarësisht nga numri gjithnjë në rritje i vendimeve ku Gjykata merr vendim rreth kompetencës së saj ratione temporis duke u bazuar te kriteret e zbatuara në vendimin Šilih, zbatimi në praktikë i këtyre të fundit është nganjëherë burim pështjellimesh. Pra, kërkohet njëfarë sqarimi.
141. Kriteret e parashtruara në paragrafët 162 e 163 të vendimit Šilih (të përsëritura në paragrafin 133 të mësipërm) mund të përmblidhen si vijon. Së pari, në rastin e një vdekjeje të ndodhur përpara datës kritike, kompetencës kohore të Gjykatës i përkasin vetëm veprimet e mosveprimet me natyrë procedurale të kryera pas kësaj date. Së dyti, në mënyrë që të hyjë në veprim detyrimi procedural, duhet të ekzistojë një “lidhje e mirëfilltë” midis vdekjes si fakt zanafille dhe hyrjes në fuqi të Konventës. Së treti, për të vendosur kompetencën e Gjykatës mund të mjaftojë megjithatë një lidhje që mund të mos jetë “e mirëfilltë”, në qoftë se marrja e saj parasysh është e nevojshme për të mundësuar që të verifikohet se garancitë e ofruara nga Konventa dhe vlerat ku bazohet ajo janë të mbrojtura në mënyrë reale dhe efektive. Gjykata do t’i shqyrtojë njërin pas tjetrit secilin nga këto elemente.
a) Veprimet dhe mosveprimet me natyrë procedurale të kryera pas hyrjes në fuqi të Konventës
142. Gjykata rikujton që në fillim se hetimi i kërkuar nga neni 2 në pjesën e tij procedurale nuk përbën ndonjë mënyrë ndreqjeje të një shkeljeje të pretenduar të së drejtës për jetën që ka mundur të ndodhë përpara datës kritike. Shkelja e pretenduar e detyrimit procedural ka për zanafillë mungesën e ndonjë hetimi efektiv; detyrimi procedural ka fushën e vet të zbatimit dhe mund të veprojë pavarësisht nga detyrimi material i nenit 2 (vendimet Varnava me të tjerë, § 136, dhe Šilih, § 159, të cituara më lart). Për këtë arsye, kompetenca kohore e Gjykatës përfshin veprimet e mosveprimet me natyrë procedurale që kanë ndodhur ose duhej të kishin ndodhur pas hyrjes në fuqi të Konventës ndaj shtetit të paditur.
143. Gjykata është përveç kësaj e mendimit se me “veprime me natyrë procedurale” duhet të kuptohen veprimet e lidhura ngushtë me detyrimin procedural që rrjedh nga neni 2 ose, sipas rastit, nga neni 3 i Konventës, domethënë veprimet e ndërmarra në suazën e një procedure penale, civile, administrative apo disiplinore që mendohet se shpie në identifikimin dhe në dënimin e personave përgjegjës ose në zhdëmtimin e palës së dëmtuar (Labita k. Italisë [DhM], nr. 26772/95, § 131, GjEDNj 2000‑IV, dhe McCann me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, 27 shtator1995, § 161, seria A nr. 324). Ky përkufizim ka si pasojë përjashtimin e llojeve të tjera të përçapjeve që mund të ndërmerren për qëllime të tjera, për shembull për të vendosur një të vërtetë historike.
144. “Mosveprimet” kanë parasysh rastet kur nuk ka pasur kurrfarë hetimi si edhe ato kur janë kryer vetëm akte të papërfillshme procedurale, por kur pretendohet se duhej të ishte kryer një hetim efektiv. Sapo që paraqitet një pretendim, një mjet prove ose një element informacioni i pranueshëm e i besueshëm që mund të lejojë identifikimin dhe, fundja, fajësimin ose dënimin e personave përgjegjës, autoritetet janë të detyruara që të marrin masa hetimore (Gutiérrez Dorado e Dorado Ortiz k. Spanjës (vend. pran.), nr. 30141/09, §§ 39-41, 27 mars 2012; Çakir me të tjerë k. Qipros (vend. pran.), nr. 7864/06, 29 prill 2010, dhe Brecknell, i cituar më lart, §§ 66-72). Në qoftë se ndodh që pas hyrjes në fuqi del një element i ri aq i rëndësishëm e përcaktues saqë ta përligjë rinisjen e një çështjeje, Gjykata duhet të sigurohet se shteti i paditur e ka përmbushur detyrimin procedural që i cakton atij neni 2 në një mënyrë të pajtueshme me parimet e parashtruara në jurisprudencën e saj. Megjithatë, në qoftë se fakti i zanafillës del jashtë kompetencës kohore të Gjykatës, zbulimi i elementeve të reja pas datës kritike mund të bëjë që të lindë sërish detyrimi për të hetuar vetëm atëherë kur është plotësuar kriteri i “lidhjes së mirëfilltë” ose ai i “vlerave të Konventës” (shih këtu më poshtë).
b) Kriteri i “lidhjes së mirëfilltë”
145. Fjalia e parë e paragrafit 163 të vendimit Šilih parashtron se ekzistenca e një “lidhjeje të mirëfilltë” midis faktit të zanafillës dhe hyrjes në fuqi të Konventës ndaj shtetit të paditur është një kusht sine qua non në mënyrë që të bëhet i zbatueshëm detyrimi procedural i cili rrjedh nga neni 2 i Konventës.
146. Gjykata është e mendimit se elementi kohor është i pari dhe më i rëndësishmi nga treguesit kur është fjala për të vërtetuar natyrën “e mirëfilltë” të lidhjes. Duke ndjekur shembullin e dhomës në vendimin e saj, ajo shton se, që të ketë një “lidhje të mirëfilltë”, periudha e kohës së kaluar midis faktit të zanafillës dhe datës kritike duhet të mbetet relativisht e shkurtër. Ndonëse e drejta nuk përmban asnjë kriter në dukje që të mundësojë përcaktimin e kufirit absolut të këtij afati, ky i fundit nuk duhet t’i kapërcejë dhjetë vjet (shih, për analogji, Varnava me të tjerë, të cituar më lart, § 166, dhe Er me të tjerë k. Turqisë, nr. 23016/04, §§ 59-60, 31 korrik 2012). Edhe sikur të hamendësohet që, për arsye rrethanash të jashtëzakonshme, të jetë e përligjur që ky afat të shtyhet edhe më larg në të kaluarën, do të duhet që të plotësohet kriteri i “vlerave të Konventës”.
147. Megjithatë, kohëzgjatja e afatit që ndan faktin e zanafillës nga data kritike nuk është në vetvete vendimtare për të përcaktuar nëse lidhja është “e mirëfilltë”. Siç e tregon fjalia e dytë e paragrafit 163 të vendimit Šilih, lidhja do të vendoset atëherë kur pjesa thelbësore e hetimit rreth vdekjes ka ndodhur ose duhej të kishte ndodhur pas hyrjes në fuqi të Konventës. Kjo përfshin si ndjekjen e një procedure e cila synon të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe të bëjë që personat përgjegjës të përgjigjen për veprimet e tyre, ashtu edhe marrjen e një pjese të rëndësishme të masave procedurale thelbësore për ecurinë e hetimit. Fjala është për një pasojë të pashmangshme të parimit sipas të cilit Gjykata ka kompetencë vetëm ndaj veprimeve dhe mosveprimeve me natyrë procedurale të cilat kanë ndodhur pas datës së hyrjes në fuqi. Sidoqoftë, në rast se pjesa më e madhe e procedurës apo masat më të rëndësishme procedurale i përkasin periudhës përpara kësaj date, aftësia e Gjykatës për ta vlerësuar në përgjithësi efektivitetin e hetimit sipas kërkesave procedurale të nenit 2 të Konventës mund të zvogëlohet në mënyrë të pandreqshme.
148. Duke pasur parasysh çka u tha më lart, Gjykata del në përfundimin se, në mënyrë që të vërtetohet një “lidhje e mirëfilltë”, duhet të plotësohen dy kritere: afati midis vdekjes si fakt zanafille dhe hyrjes në fuqi të Konventës duhet të ketë qenë relativisht i shkurtër dhe pjesa më e madhe e hetimit duhet të jetë kryer ose të ishte kryer pas hyrjes në fuqi.
c) Kriteri i “vlerave të Konventës”
149. Gjykata e pranon nga ana tjetër që mund të ekzistojnë situata të jashtëzakonshme të cilat nuk e plotësojnë kriterin e “lidhjes së mirëfilltë” ashtu siç parashtrohet më lart, por ku nevoja për t’i mbrojtur në mënyrë reale dhe efektive garancitë e ofruara nga Konventa dhe vlerat ku mbështetet ajo përbën një bazë të mjaftueshme për ta pranuar ekzistencën e një lidhjeje. Fjalia e fundit e paragrafit 163 të vendimit Šilih nuk e përjashton një mundësi të tillë, e cila do të përbënte atëherë një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm i përfaqësuar nga kriteri i një “lidhjeje të mirëfilltë”. Në të gjitha çështjet e cituara më lart, Gjykata e ka pranuar ekzistencën e një “lidhjeje të mirëfilltë” sepse periudha kohore e kaluar midis vdekjes dhe datës kritike ishte relativisht e shkurtër dhe ngaqë një pjesë e konsiderueshme e procedurës ishte ndjekur pas kësaj date. Çështja në fjalë është pra e para që mund t’i përkasë kësaj kategorie tjetër, me karakter të jashtëzakonshëm. Prandaj Gjykatës i duhet që t’i shpjegojë qartë modalitetet e zbatimit të kriterit të “vlerave të Konventës”.
150. Sipas shembullit të dhomës, Dhoma e Madhe çmon se referimi ndaj vlerave ku mbështetet Konventa nënkupton që ekzistenca e lidhjes së kërkuar mund të konstatohet atëherë kur fakti i zanafillës ka përmasa më të gjera sesa një vepër penale ordinere dhe përbën një mohim të vetë themeleve të Konventës. I tillë do të ishte rasti i krimeve të rënda sipas së drejtës ndërkombëtare, si krimet e luftës, gjenocidi ose krimet kundër njerëzimit, në përputhje me përkufizimet që japin për to instrumentet përkatëse ndërkombëtare.
151. Karakteri i urryer dhe serioziteti i krimeve të tilla i kanë shtyrë palët në Konventën për Paparashkrueshmërinë e Krimeve të Luftës dhe të Krimeve kundër Njerëzimit që të jenë të mendimit se këto vepra penale duhet të jenë të paparashkrueshme dhe se duhet të shfuqizohen ato parashkrime të cilat mund të ekzistojnë lidhur me këtë në rendin e tyre juridik të brendshëm. Gjykata është megjithatë e mendimit se kriteri i “vlerave të Konventës” nuk mund të zbatohet për ngjarje të ndodhura përpara miratimit të Konventës, më 4 nëntor 1950, sepse kjo e fundit ka filluar të ekzistojë vetëm në atë datë si instrument ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, një Palë në Konventë nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi në fushën e kësaj të fundit për mosrealizimin e një hetimi rreth një krimi sipas së drejtës ndërkombëtare, qoftë ky i fundit edhe më i urryeri, në qoftë se ai ka ndodhur përpara Konventës. Ndonëse është e ndjeshme ndaj argumentit se, edhe sot, disa vende kanë arritur të gjykojnë persona përgjegjës për krime lufte të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjykata thekson dallimin themelor që ekziston ndërmjet mundësisë për ta ndjekur penalisht një person për një krim të rëndë sipas së drejtës ndërkombëtare nëse këtë e lejojnë rrethanat dhe detyrimit për ta bërë këtë gjë në vështrim të Konventës.
4. Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në çështjen në fjalë
152. Duke iu kthyer fakteve të pakundërshtuara të kësaj çështjeje, Gjykata rikujton se të afërmit e paditësve ishin ushtarakë të ushtrisë polake të cilët ishin zënë robër pas pushtimit sovjetik të pjesës lindore të Polonisë në shtator 1939. Gjatë muajve që pasuan, ata u mbajtën të burgosur në kampet e NKVD-së që ndodheshin në pjesën perëndimore të NRSS-së, në Kozelsk, Ostashkov dhe Starobelsk.
153. Më 5 maj 1940, me propozimin e kreut të NKVD-së, anëtarët e Politbyrosë së Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BRSS-së miratuan një propozim për ekzekutim pa gjyq të robërve polakë të luftës, i cili do të zbatohej nga pjesëtarët e NKVD-së. Robërit u vranë dhe u varrosën nëpër varre masive në data të ndryshme në prill e maj 1940. Listat e robërve që do të ekzekutoheshin ishin hartuar mbi bazën e “listave të shpërndarjes” të NKVD-së, ku ishin regjistruar konkretisht emrat e pjesëtarëve të familjeve të paditësve.
154. Tre nga të afërmit e paditësve u identifikuan gjatë zhvarrimit të vitit 1943; trupat e të tjerëve nuk janë gjetur as identifikuar. Gjykata rikujton se, në jurisprudencën e saj, ajo ka formuluar disa herë përfundime faktike sipas të cilave mund të prezumohej si i vdekur një person i zhdukur apo një tjetër. Në përgjithësi, këto përfundime janë dhënë në përgjigje të argumenteve të qeverisë së paditur se personi në fjalë vazhdonte të ishte gjallë apo se nuk vërtetohej që ai të kishte vdekur ndërkohë që gjendej në duart e agjentëve të atij shteti. Ky prezumim vdekjeje nuk është i vetvetishëm; ai parashtrohet vetëm pas një shqyrtimi të rrethanave të çështjes, ku një element rëndësor për këtë qëllim është periudha që ka kaluar nga hera e fundit kur personi është parë i gjallë apo kur ka pasur lajme prej tij (Aslakhanova me të tjerë k. Rusisë, nr. 2944/06, 8300/07, 50184/07, 332/08 dhe 42509/10, § 100, 18 dhjetor 2012; Varnava me të tjerë, i cituar më lart, § 143, dhe Vagapova e Zubirajev k. Rusisë, nr. 21080/05, §§ 85-86, 26 shkurt 2009). Gjykata e ka prezumuar vdekjen në disa situata ku mungesa e plotë e lajmeve të besueshme nga personi i zhdukur vazhdonte prej një periudhe që shkonte nga katër vjet e gjysmë (Imakajeva k. Rusisë, nr. 7615/02, § 155, GjEDNj 2006‑XIII) deri në mbi dhjetë vjet (Aslakhanova me të tjerë, i cituar më lart, §§ 103-115).
155. Nuk kundërshtohet – dhe “listat e shpërndarjes” së NKVD-së përbëjnë prova shkresore për këtë qëllim – se, në fund të vitit 1939 e në fillim të vitit 1940, të afërmit e të paditësve janë mbajtur të burgosur në territorin sovjetik nën kontrollin e plotë dhe ekskluziv të autoriteteve sovjetike. Vendimi i marrë nga Politbyroja më 5 mars 1940 vinte në dukje se të gjithë robërit polakë të luftës të burgosur në kampet e NKVD-së, pa përjashtim, duhej të bëheshin objekt ekzekutimesh pa gjyq, të cilat u kryen nga policia e fshehtë sovjetike gjatë muajve pasues. Që më 1943, në pyllin e Katinit, pas pushtimit të këtij territori nga gjermanët, u zbuluan varre masive robërish që mbanin uniformën polake. Një shkresë e hartuar më 1959 nga kreu i KGB-së, organizmi që kishte zëvendësuar NKVD-në, e pranonte se, gjithsej, mbi 21 000 robër polakë ishin vrarë nga pjesëtarë të NKVD-së. Familjeve të robërve nuk u kanë ardhur më letra nga të afërmit e tyre që më 1940 dhe ato nuk kanë marrë më kurrë lajme prej tyre që prej asaj kohe, mbi shtatëdhjetë vjet më parë.
156. Nga këto elemente faktike, Gjykata nxjerr përfundimin se duhet të prezumohet që të afërmit e paditësve, të cilët ishin zënë robër më 1939, janë ekzekutuar nga autoritetet sovjetike më 1940.
157. Federata e Rusisë e ka ratifikuar Konventën më 5 maj 1998, ose pesëdhjetë e tetë vjet pas ekzekutimit të të afërmve të paditësve. Dhoma e Madhe bie në një mendje me përfundimin e dhomës sipas të cilit periudha e kaluar nga vdekjet deri në datën kritike është jo vetëm shumë më e gjatë sesa ato që kanë çuar në zbatimin e detyrimit procedural që rrjedh nga neni 2 në të gjitha çështjet e mëparshme, por edhe tepër e gjatë në përgjithësi për të vendosur një lidhje të mirëfilltë ndërmjet vdekjeve dhe hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rusisë.
158. Hetimi rreth zanafillës së varreve masive filloi më 1990 dhe klasifikimi i tij u shpall formalisht në shtator 2004. Ndonëse qeveria ruse pretendon për parregullsi të vendimit për nisjen e ndjekjeve penale, kjo procedurë mendohej, të paktën teorikisht, se çonte në identifikimin dhe në dënimin e personave përgjegjës. Ajo kishte të bënte pra me “veprime e mosveprime të natyrës procedurale” për sa i përket nenit 2 të Konventës.
159. Në fillim të viteve 1990, autoritetet sovjetike e pastaj ato ruse morën në numër të madh masash procedurale. Më 1991 u zhvarrosën disa trupa nga varret masive që ndodheshin në Harkov, Mednoje e Katin, dhe hetuesit dhanë urdhër për një numër të caktuar ekspertizash mjekoligjore si edhe morën në pyetje disa dëshmitarë të mundshëm të ekzekutimeve. Midis autoriteteve ruse, polake, ukrainase dhe bjelloruse u organizuan vizita zyrtare dhe mbledhje koordinimi. Megjithatë, të gjitha këto përçapje u bënë përpara datës kritike. Për sa i përket periudhës pas kësaj date, duke pasur parasysh elementet e përfshira në dosje dhe vërejtjet e palëve, është e pamundur të zbulohet qoftë edhe një masë sado e vogël hetimore e denjë për këtë emër e cila të jetë kryer pas 5 majit 1998. Gjykata është e mendimit se një rivlerësim i provave, disa konstatime të ndryshme nga konkluzionet e mëparshme apo një vendim klasifikimi i dokumenteve hetimore nuk mund të shihen si “pjesa e rëndësishme e masave procedurale” që kërkohet për të vendosur një “lidhje të mirëfilltë” sipas parashikimeve të nenit 2 të Konventës. Nga ana tjetër, që prej datës kritike nuk është shfaqur asnjë element rëndësor prove, asnjë informacion substancial. Nga kjo, Gjykata del në përfundimin se nuk plotësohet asnjë prej kritereve që mundësojnë vërtetimin e një “lidhjeje të mirëfilltë”.
160. Mbetet më në fund që të përcaktohet nëse në çështjen në fjalë ekzistojnë ose jo rrethana të jashtëzakonshme të cilat do ta përligjnin shmangien e kriterit të “lidhjes së mirëfilltë”, për të zbatuar atë të vlerave të Konventës. Siç e ka përcaktuar gjykata, ato ngjarje të cilat do të kishin mundur të bënin që të lindte detyrimi për kryerje hetimesh i cili rrjedh nga neni 2 kanë ndodhur në fillim të vitit 1940, ose mbi dhjetë vjet përpara sesa të lindte Konventa. Gjykata e ripohon kështu përfundimin e dhomës se në çështjen në fjalë nuk ka asnjë element me natyrë të tillë që të vendosë një urë midis së kaluarës së largët dhe periudhës së vonë, pas hyrjes në fuqi të Konventës.
161. Duke pasur parasysh konsideratat e mësipërme, Gjykata i jep të drejtë prapësimit për mungesë kompetence ratione temporis të ngritur nga Qeveria dhe del në përfundimin se ajo nuk ka kompetencë për ta shqyrtuar ankimin e bërë mbi bazën e nenit 2 të Konventës.
III. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 3 TË KONVENTËS
162. Paditësit ankohen për mohim të vazhdueshëm të një fakti historik nga ana e autoriteteve ruse, ndaj të cilave ata shprehin madje pakënaqësinë se u fshehin atyre informacione rreth fatit të të afërmve të vet dhe se u janë përgjigjur me indiferencë e në mënyrë kontradiktore kërkesave të tyre për të dhëna. Ata e shohin këtë gjë si një trajtim çnjerëzor e poshtërues, në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, të formuluar kështu:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
A. Vendimi i dhomës
163. Dhoma i ka ndarë paditësit në dy grupe sipas afërsisë së lidhjeve familjare që i bashkonin ata me viktimat e masakrës së Katinit. Ajo ka pranuar se ekzistonte një “lidhje familjare e qëndrueshme” për sa i përket të vesë dhe nëntë fëmijëve të lindur përpara vitit 1940 dhe se pjesëtarët e këtij grupi mund ta kërkonin që të njiheshin si viktima të shkeljes së pretenduar të nenit 3. Por, nga ana tjetër, ajo ka çmuar se vuajtjet morale të pësuara nga pesë paditësit e tjerë, të lindur më 1940 apo më vonë, ose nga të afërm më të largët të viktimave të Katinit, nuk ishin të tilla që t’i përkisnin nenit 3 të Konventës.
164. Dhoma ka shqyrtuar pastaj situatën e pjesëtarëve të grupit të parë të paditësve në periudha të ndryshme. Ajo ka çmuar se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata kishin “mbetur në një gjendje pasigurie për sa i përket fatit” të të afërmve të tyre; se, pas luftës, ata kishin mundur “gjithmonë të mbanin gjallë shpresën që të paktën disa prej robërve polakë të kishin mundur të mbijetonin, qoftë nëpër kampet sovjetike më të largët, qoftë si të ikur pas një arratisjeje”; se, gjatë gjithë ekzistencës së Polonisë socialiste të vendosur nën kontrollin e BRSS-së, ata “nuk [ishin] lejuar, për arsye politike, që të mësonin të vërtetën për çka kishte ndodhur dhe [se] ata [kishin] qenë të shtrënguar ta pranonin shtrembërimin e fakteve historike nga ana e autoriteteve komuniste sovjetike dhe polake” dhe se, edhe pas pranimit publikisht të masakrës së Katinit nga autoritetet sovjetike dhe ruse, ata duhet të kishin “provuar zhgënjim përballë amullisë së dukshme të hetimit”.
165. Dhoma ka vënë re se, gjatë periudhës pas hyrjes në fuqi, paditësve u ishte mohuar qasja ndaj dokumenteve të dosjes së hetimit ose ata ishin përjashtuar nga procedurat për arsye të shtetësisë së tyre të huaj. Ajo ka deklaruar se i ka bërë veçanërisht përshtypje “ngurrimi i dukshëm i autoriteteve ruse për ta pranuar realitetin e masakrës së Katinit”. Ajo ka vënë në dukje se, ndonëse e kanë pranuar që të afërmit e paditësve ishin mbajtur si të burgosur në kampet e NKVD-së, gjykatat ushtarake ruse e kishin shmangur vazhdimisht çdo përmendje të ekzekutimit të tyre të mëvonshëm, me arsyetimin se hetimi rreth Katinit nuk e kishte sjellë provën e kësaj gjëje. Ajo e ka cilësuar këtë qëndrim si “mospërfillje të hapur ndaj shqetësimeve të të interesuarve dhe fshehje me dashje të rrethanave të masakrës së Katinit”. Lidhur me procedurat për rehabilitim, ajo ka thënë se “një mohim i realitetit të masakrës, i rënduar me idenë e nënkuptuar se robërit polakë mbase ishin dënuar brenda rregullave me dënimin më të rëndë pasi ishin gjetur fajtorë për disa akuza, tregon[te] një qëndrim ndaj paditësve i cili ishte jo vetëm plot përbuzje, por edhe çnjerëzor”.
166. Dhoma ka pranuar se periudha e kaluar që prej ndarjes së paditësve me të afërmit e tyre në çështjen në fjalë ishte shumë më e gjatë sesa në çështje të tjera dhe se të interesuarit nuk vuanin më nga ankthi i mosdijes nëse pjesëtarët e familjeve të tyre ishin gjallë apo kishin vdekur. Megjithatë, duke iu referuar jurisprudencës së Komitetit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së lidhur me nenin 7 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, analog me nenin 3 të Konventës, ajo ka gjykuar se detyrimi që u është vënë autoriteteve me këtë dispozitë të fundit nuk mund të katandisej vetëm në një njohje të thjeshtë të anës materiale të vdekjes, por u diktonte atyre edhe që të japin llogari për rrethanat e vdekjes dhe për vendndodhjen e varrit. Ajo ka çmuar se, në çështjen në fjalë, autoritetet ruse nuk u kishin dhënë paditësve asnjë informacion zyrtar për rrethanat e vdekjes së të afërmve të tyre dhe nuk kishin marrë as nismën më të vogël serioze për të lokalizuar vendin se ku ishin varrosur ata. Kështu, ajo ka dalë në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 3.
B. Tezat e palëve
1. Qeveria ruse
167. Qeveria mbron në radhë të parë mendimin se, në mënyrë që situata e të afërmve të personave të vrarë ose të zhdukur të ngrejë një pikëpyetje në vështrim të nenit 3, duhet të vërtetohet ekzistenca e dy elementeve: së pari, këta paditës duhet të kenë përjetuar një situatë pasigurie lidhur me fatin e të afërmve të tyre dhe, së dyti, veprimet e autoriteteve duhet t’i kenë rënduar më tej vuajtjet e tyre gjatë kësaj periudhe (ajo citon vendimin Lulujev me të tjerë k. Rusisë, nr. 69480/01, §§ 114-115, GjEDNj 2006‑XIII).
168. Për sa i përket elementit të parë, domethënë gjendjes së pasigurisë, Qeveria është e mendimit se, sado që fati i të afërmve të paditësve nuk ka qenë e mundur të përcaktohet me sigurinë e duhur për qëllime të një padie penale apo të një procedure për rehabilitim, nuk ishte e arsyeshme të mendohej që ata të mund të ishin ende gjallë më 5 maj 1998, duke pasur parasysh datëlindjet e tyre dhe mungesën e çfarëdo lajmi rreth tyre që nga Lufta e Dytë Botërore. Ajo çmon se, në mungesë të elementit të parë, në këndvështrimin e nenit 3 nuk mund të shtrohet asnjë pikë e dallueshme nga ajo e shqyrtuar tashmë në këndvështrimin e nenit 2 (ajo citon vendimet Esmukhambetov me të tjerë k. Rusisë, nr. 23445/03, § 189, 29 mars 2011; Velkhijev me të tjerë k. Rusisë, nr. 34085/06, § 137, 5 korrik 2011; Sambijev e Pokajeva k. Rusisë, nr. 38693/04, §§ 74-75, 22 janar 2009, dhe Tangijeva k. Rusisë, nr. 57935/00, § 104, 29 nëntor 2007).
169. Qeveria mbrohet përveç kësaj me mungesën e “faktorëve të veçantë” që do të mund t’i kishin dhënë vuajtjes së paditësve “një përmasë dhe një karakter të dallueshëm nga tronditja afektive e cila mund të konsiderohet si e pashmangshme për të afërmit e një personi viktimë shkeljesh të rënda të të drejtave të njeriut” (ajo citon vendimet Gongadze k. Ukrainës, nr. 34056/02, § 184, GjEDNj 2005‑XI, dhe Orhan k. Turqisë, nr. 25656/94, §§ 357-358, 18 qershor 2002). Për sa i përket të parit “faktor të veçantë”, domethënë “afërsisë së lidhjes së gjakut”, pesë nga paditësit paskan lindur pas arrestimit të të afërmve të tyre të zhdukur dhe dhoma nuk paska vënë re asnjë shkelje të nenit 3 ndaj tyre. I dyti nga këta faktorë, domethënë “masa në të cilën i afërmi ka qenë dëshmitar i ngjarjeve në fjalë”, munguaka, përderisa asnjëri nga paditësit nuk ka qenë i pranishëm në ngjarjet që kanë çuar në vdekjen e të afërmve të tyre. Për sa i përket kriterit të tretë – “pjesëmarrjes në orvatjet për të marrë të dhëna rreth personit të zhdukur” – ai nuk u përmbushka lidhur me paditësit, ngaqë ata nuk kanë marrë pjesë në hetimin rreth Katinit dhe nuk kanë formuluar kërkesa a bërë deponime. Qeveria shton se, ndërkohë që mediet ruse dhe polake raportonin me bollëk rreth kësaj procedure që prej më shumë se katërmbëdhjetë vjetësh, vetëm pas klasifikimit të hetimit dy paditës kishin kërkuar që t’i bashkoheshin formalisht procedurës (ajo citon a contrario vendimin Musikhanova me të tjerë k. Rusisë, nr. 27243/03, §§ 81-82, 4 dhjetor 2008).
170. Lidhur me mënyrën se si u janë përgjigjur autoritetet ruse kërkesave të paditësve, element ky që përkon me të katërtin “faktor të veçantë”, Qeveria përmend dy rrethana që ajo i gjykon si të rëndësishme. Së pari, sot paditësit nuk mundkan të pretendojnë më se ndodhen në pasiguri për sa i përket fatit të të afërmve të tyre. Pastaj, “ngjarjet e Katinit” i ndaka nga ratifikimi i Konventës prej Rusisë një periudhë prej pesëdhjetë e tetë vjetësh. Qeveria është e mendimit se këto dy rrethana i kanë zvogëluar qartazi pasojat negative që ka mundur të shkaktojë veprimi apo mosveprimi i saj. Për të vërtetuar ligjshmërinë e qëndrimit të mbajtur nga autoritetet ruse, ajo jep disa shpjegime. Në radhë të parë, “rehabilitimi” i robërve polakë paska qenë i pamundur, për mungesë të çdolloj grimce sado të vogël informacioni lidhur me akuzat e ngritura kundër tyre. Në radhë të dytë, autoritetet nuk paskan pasur aspak ndonjë detyrim ligjor për t’i lokalizuar paditësit apo për t’u dhënë atyre cilësinë e viktimës, në mungesë të elementeve të mjaftueshme që mundësojnë të përcaktohet, sipas kriterit të provës që kërkon fusha penale, një lidhje shkakësore ndërmjet “ngjarjeve të Katinit” dhe vdekjes së të afërmve të tyre. Në radhë të tretë, letrat e drejtuara paditësve nga prokurorët paskan përmbajtur “konkluzione të pasakta” dhe “mungesat e koherencës” qenkan ndrequr më në fund nga gjykatat ruse, të cilat i paskan vlerësuar me korrektësi dokumentet e dosjes, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të paditësve.
171. Qeveria nuk e pranon konkluzionin e dhomës lidhur me një mohim të realitetit të masakrës së Katinit nga ana e gjykatave ruse. Ajo çmon se gjykatat vetëm “sa kanë nënvizuar një mungesë elementesh të mjaftueshme për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së të afërmve të paditësve” sipas kriterit të provës që zbatohet në fushën penale. Ajo është përveç kësaj e mendimit se autoritetet ruse nuk e kishin për detyrim që të kërkonin çfarë kishte ndodhur me personat e zhdukur, as vendin ku ishin varrosur trupat, me arsyetimin se të afërmit e paditësve nuk ishin “persona të zhdukur” dhe se asnjë detyrim i këtij lloji nuk rridhte nga e drejta e brendshme, nga e drejta ndërkombëtare humanitare ose nga Konventa. Së fundi, ajo thotë se nuk e ka pasur kurrë synimin që të shtrembërojë fakte historike apo që t’ia nënshtrojë paditësit ndonjë forme trajtimi poshtërues.
2. Paditësit
172. Paditësit kanë të njëjtin mendim me atë të shprehur në vendimin e dhomës sipas të cilit detyrimi i diktuar nga neni 3 ka dallim prej atij që rrjedh nga neni 2, në kuptimin që i dyti e detyron shtetin të marrë disa masa juridike specifike, kurse i pari është me një karakter humanitar më të përgjithshëm. Ata mbrojnë idenë se Gjykata u dashka të mundë që t’i marrë parasysh faktet e ndodhura para hyrjes në fuqi të Konventës për aq sa ato mund të jenë me rëndësi për kuptimin e fakteve të ndodhura pas kësaj date (ata citojnë çështjet Broniowski k. Polonisë (vend. pran.) [DhM], nr. 31443/96, § 74, GjEDNj 2002–X, dhe Hokkanen k. Finlandës, 23 shtator 1994, § 53, seria A nr. 299‑A). Përveç kësaj, sipas tyre Gjykata u dashka të mundë që ta shqyrtojë pikën e respektimit nga autoritetet e shtetit të detyrimeve të tyre që rrjedhin nga neni 3 sado që vdekja fillestare të dalka jashtë kompetencës së saj ratione temporis (ata vendosin një paralele me vendimin e dhënë nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut i OKB-së më 28 mars 2006 në çështjen Mariam Sankara me të tjerë k. Burkina Fasos).
173. Paditësit e kundërshtojnë qëndrimin e mbajtur nga dhoma për t’i ndarë ata në dy grupe të dallueshme sipas afërsisë së lidhjeve të tyre farefisnore. Ata thonë se janë prekur të gjithë njëlloj nga situata brenda Polonisë socialiste të pasluftës dhe nga ngjarjet që kanë pasuar pranimin e masakrës së Katinit prej sovjetikëve. Në kundërshtim me dhomën, ata mbrojnë mendimin se, midis tyre, ata të cilëve nuk u kujtohen etërit e vet apo të cilëve u është mohuar mundësia për të pasur qoftë edhe kontaktin më të vogël me ta janë më shumë të ndjeshëm ndaj fatit tragjik të prindërve të tyre. Në fund të fundit, paditësit e grupit të dytë – ata për të cilët dhoma ka dalë në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 3 – paskan marrë pjesë në mënyrë aktive në një varg përçapjesh gjyqësore si edhe në veprimtari të tjera në lidhje me përkujtimin e prindërve të tyre të vrarë: Znja Wołk-Jezierska paska hartuar disa libra rreth masakrës së Katinit, Znja Krzyszkowiak paska krijuar një shtëpi botuese që nxjerr libra kushtuar kësaj masakre, Znja Rodowicz paska qenë autorja e disa veprave artistike për të njëjtin subjekt dhe Z. Romanowski, më i riu nga paditësit, paska “marrë trashëgim” nga e ëma e tij e ndjerë misionin për ta nderuar kujtimin e dajës së tij të vrarë. Duke iu referuar jurisprudencës së GjNADNj-së, paditësit çmojnë se janë të gjithë viktima të fakteve që ata denoncojnë në fushën e nenit 3, qoftë si të afërm të drejtpërdrejtë në moshë të rritur të personave të vrarë, qoftë si të afërm të degës anësore të cilët e kanë treguar impenjimin e tyre energjik e të vazhdueshëm me veprime të shumta në raport me fatin e të afërmve të tyre të vrarë.
174. Lidhur me reagimin e autoriteteve ruse ndaj kërkesave të tyre për të dhëna, paditësit vënë në dukje se, në disa çështje të shqyrtuara më parë nga Gjykata, ka ndodhur nganjëherë që “persona të zhdukur”, pas zbulimit të trupave të tyre, të kthehen në “persona të vdekur”. Në rastin e masakrës së Katinit, renditja qenka përmbysur: për sytë e autoriteteve ruse, të “vdekurit” qenkan kthyer në të “zhdukur”. Kjo përmbysje përbëka thjesht një mohim të kulluar të fakteve historike dhe paska ngjallur te paditësit një ndjenjë të fuqishme dhimbjeje, ankthi e stresi. Kjo qenka njëlloj sikur një grupi të afërmish të viktimave të Holokaustit t’i thuhej që nuk dihet asgjë se çfarë ka ndodhur me ta, sepse, meqë dokumentet janë asgjësuar prej autoriteteve naziste, atyre nuk iu gjendka dot gjurma përveçse deri aty ku përfundon hekurudha që shpie në një kamp përqendrimi. Përveç kësaj, duke e quajtur veten të paaftë për të përcaktuar se “cila dispozitë e Kodit Penal e përbënte bazën ligjore për t’u kërkuar llogari robërve [polakë]”, prokurorët ushtarakë paskan nënkuptuar në fakt që viktimat ishin mbase kriminelë të cilëve u ishte dhënë me të drejtë dënimi me vdekje. Për më tepër, në kuadrin e procedurave për rehabilitim të ndjekura në Gjykatën e Moskës, prokurori paska mbrojtur mendimin se kishte “arsye të përligjura” për represionin në fjalë: ai i paska akuzuar disa nga oficerët polakë se kanë qenë “spiunë, terroristë e sabotatorë”, ndërsa ushtrinë polake të paraluftës se ka qenë “e stërvitur për të luftuar Bashkimin Sovjetik”. Paditësit nxjerrin nga kjo përfundimin se vuajtjet e tyre morale nuk mund të paraqiten si një pasojë e pashmangshme e vetë vdekjeve, por vijnë si rezultat i trajtimit që u kanë bërë tyre autoritetet ruse.
3. Qeveria polake
175. Qeveria polake mbron mendimin se autoritetet ruse u kanë bërë paditësve një trajtim çnjerëzor e poshtërues. Ajo thekson se personat e zënë robër, të burgosur e pastaj të ekzekutuar nga autoritetet sovjetike ishin të afërm të paditësve. Për shumë vite, për arsye politike, autoritetet sovjetike e paskan refuzuar qasjen ndaj çdolloj informacioni zyrtar rreth fatit të personave të zënë robër në fundin e vitit 1939. Pas çeljes së një hetimi më 1990, paditësit qenkan orvatur më kot për të pasur qasje në dokumentet e dosjes hetimore me qëllim që të fitonin rehabilitimin e të afërmve të tyre. Ky refuzim qasjeje dhe karakteri kontradiktor i informacioneve të marra paskan ngjallur tek ata një ndjenjë të përhershme pasigurie dhe ankthi dhe i paskan vënë ata në mëshirë të autoriteteve ruse, veprimet e të cilave paskan synuar që t’i poshtëronin. Aty qenka fjala për një trajtim në kundërshtim me nenin 3.
4. Pala e tretë
176. Public International Law and Policy Group ka paraqitur një përmbledhje të jurisprudencës së Gjykatës rreth natyrës dhe forcës së lidhjeve të farefisnisë që kërkohen, në mënyrë që një paditës të mundë të pretendojë se është viktimë e një shkeljeje të nenit 3 për arsye të fatit që i është caktuar njërit prej të afërmve të tij. Pala e tretë nxjerr nga kjo jurisprudencë se Gjykata e merr gjithnjë e më shumë parasysh veprimin e paditësit dhe rolin e luajtur nga shteti pasi këtij i janë drejtuar kërkesa për marrje të dhënash. Ajo shton se kriteret e përdorura për njohjen e cilësisë së viktimës, të bazuara te pjesëmarrja e të afërmit në përçapjet që synojnë në marrjen e të dhënave lidhur me personin e zhdukur, si edhe te mënyra se si reagojnë autoritetet ndaj këtyre përçapjeve, përputhen me ato të zgjedhura nga juridiksione të tjera ndërkombëtare, ndër të cilat GjNADNj-ja (ajo citon çështjet Garrido e Baigorria k. Argjentinës, vendim i 27 gushtit 1998, dhe Blake k. Guatemalës, vendim i 27 janarit 1998) dhe dhomat e jashtëzakonshme në gjirin e gjykatave kamboxhiane.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parime të përgjithshme
177. Në jurisprudencën e saj, Gjykata ka qenë gjithmonë e ndjeshme ndaj pasojave të rënda psikologjike që sjell një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut për të afërmit e viktimës që janë paditës para saj. Megjithatë, në mënyrë që lidhur me këta të fundit të mund të konstatohet një shkelje më vete e nenit 3, duhet të ekzistojnë disa faktorë të veçantë që i japin vuajtjes së tyre një përmasë dhe një karakter të dallueshëm nga tronditja afektive që sjell në mënyrë të pashmangshme vetë shkelja e lartpërmendur. Mes këtyre faktorëve figurojnë afërsia e lidhjes farefisnore, rrethanat e veçanta të marrëdhënies, masa në të cilën i afërmi ka qenë dëshmitar i ngjarjeve në fjalë dhe pjesëmarrja e tij në kërkimet e të dhënave rreth fatit të viktimës.
178. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se një pjesëtar i familjes së një “personi të zhdukur” mund të pretendojë se është viktimë e një trajtimi në kundërshtim me nenin 3 atëherë kur zhdukja është pasuar nga një periudhë e gjatë pasigurie deri në zbulimin e trupit të të zhdukurit. Thelbi i pikëpyetjes që shtrohet në fushën e nenit 3 në këtë lloj çështjesh nuk qëndron edhe aq te seriozitetin e shkeljes së të drejtave të njeriut të kryer ndaj personit të shpallur si të zhdukur, por më shumë te indiferenca e treguar nga autoritetet përballë situatës për të cilën janë bërë me dije. Konstatimi i një shkeljeje për këtë arsye nuk kufizohet vetëm me çështjet ku shteti i paditur mbahet si përgjegjës për zhdukjen. Ai mund të formulohet edhe atëherë kur mungesa e përgjigjes nga autoritetet ndaj kërkesës së të afërmve për informacione ose pengesat e ngritura në udhën e këtyre të fundit, të detyruar për rrjedhojë që të mbajnë mbi supe barrën e ndriçimit të fakteve, mund të paraqiten sikur zbulojnë një mospërfillje të hapur, të vazhdueshme e të paepur ndaj detyrimit për të dhënë llogari për fatin e personit të zhdukur (shih, në veçanti, Açış k. Turqisë, nr. 7050/05, §§ 36 e 51-54, 1 shkurt 2011; Varnava me të tjerë, i cituar më lart, § 200; Osmanoğlu k. Turqisë, nr. 48804/99, § 96, 24 janar 2008; Lulujev me të tjerë, i cituar më lart, § 114; Bazorkina k. Rusisë, nr. 69481/01, § 139, 27 korrik 2006; Gongadze, i cituar më lart, § 184; Tanış me të tjerë k. Turqisë, nr. 65899/01, § 219, GjEDNj 2005‑VIII; Orhan k. Turqisë, nr. 25656/94, § 358, 18 qershor 2002, dhe Çakıcı k. Turqisë [DhM], nr. 23657/94, § 98, GjEDNj 1999‑IV).
179. Gjykata ka ndjekur një qasje shtrënguese kur ishte fjala për persona të burgosur e të gjetur më vonë të vdekur pas një periudhe relativisht të shkurtër pasigurie lidhur me fatin e tyre (Tanli k. Turqisë, nr. 26129/95, § 159, GjEDNj 2001‑III, dhe Bitieva me të tjerë k. Rusisë, nr. 36156/04, § 106, 23 prill 2009). Në një varg çështjesh çeçene ku, duke mos qenë të pranishëm në vdekjen e të afërmve të tyre, paditësit e kishin mësuar atë vetëm me zbulimin e trupave, ajo ka çmuar se, përderisa kishte dalë tashmë në përfundimin që kishte pasur një shkelje të nenit 2 të Konventës në pjesën e tij materiale dhe në atë procedurale, nuk ishte e domosdoshme të bëhej një konstatim më vete për shkelje të nenit 3 (Velkhijev me të tjerë k. Rusisë, nr. 34085/06, § 137, 5 korrik 2011; Sambijev e Pokajeva k. Rusisë, nr. 38693/04, §§ 74‑75, 22 janar 2009, dhe Tangijeva k. Rusisë, nr. 57935/00, § 104, 29 nëntor 2007).
180. Nga ana tjetër, në rastin e personave të vrarë nga autoritetet në shkelje të nenit 2, Gjykata ka gjykuar që, duke pasur parasysh karakterin e atëçastshëm të incidentit në zanafillë të vrasjeve në fjalë, nuk ishte me vend normalisht që zbatimi i nenit 3 të shtrihej te të afërmit e viktimave (Damajev k. Rusisë, nr. 36150/04, § 97, 29 maj 2012; Yasin Ateş k. Turqisë, nr. 30949/96, § 135, 31 maj 2005; Udajeva e Jussupova k. Rusisë, nr. 36542/05, § 82, 21 dhjetor 2010; Khashujeva k. Rusisë, nr. 25553/07, § 154, 19 korrik 2011, dhe Inderbijeva k. Rusisë, nr. 56765/08, § 110, 27 mars 2012).
181. Megjithatë, ajo ka çmuar se ishte e përligjur që të bëhej një konstatim më vete për shkelje të nenit 3 në disa raste të konfirmuara vdekjeje ku paditësit kishin qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të vuajtjes së pjesëtarëve të familjes së tyre (shih çështjet Salakhov e Isljamova k. Ukrainës, nr. 28005/08, § 204, 14 mars 2013, ku paditësja kishte qenë e pranishme në vdekjen e ngadalshme të të birit në burgim pa e pasur mundësinë që ta ndihmonte atë; Esmukhambetov me të tjerë k. Rusisë, nr. 23445/03, § 190, 29 mars 2011, ku është konstatuar një shkelje e nenit 3 ndaj një paditësi që kishte qenë i pranishëm në vrasjen e të gjithë familjes së tij, por jo ndaj paditësve të tjerë, të cilët i kishin mësuar vrasjet vetëm më pas; Khadzhialijev me të tjerë k. Rusisë, nr. 3013/04, § 121, 6 nëntor 2008, ku paditësit nuk kishin mundur t’i varrosnin në mënyrë të hijshme trupat me gjymtyrë e koka të prera të fëmijëve të tyre; Mussajev me të tjerë k. Rusisë, nr. 57941/00, 58699/00 e 60403/00, § 169, 26 korrik 2007, ku paditësi kishte qenë dëshmitar i ekzekutimit pa gjyq të disa prej të afërmve dhe fqinjëve të tij, dhe Akkum me të tjerë k. Turqisë, nr. 21894/93, §§ 258-259, GjEDNj 2005‑II, ku paditësit i ishte paraqitur trupi i gjymtuar i të birit).
2. Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në çështjen në fjalë
182. Gjykata vëren se situata që qëndron në zemër të ankimit të bërë mbi bazën e nenit 3 paraqiste fillimisht karakteristikat e një çështjeje “zhdukjeje”. Të afërmit e paditësve u zunë robër nga forcat pushtuese sovjetike dhe u burgosën në kampet sovjetike. Ka disa elemente që provojnë se midis robërve polakë dhe familjeve të tyre kanë vazhduar këmbime letrash deri në pranverën e vitit 1940. Pra mund të konsiderohet se, deri atëherë, familjet e dinin që të interesuarit ishin gjallë. Pasi nuk morën më në Poloni letra prej tyre, familjet e robërve mbetën për vite të shumta në pasiguri për atë çka kishte ndodhur me të afërmit e tyre.
183. Më 1943, pas zbulimit të varreve masive në afërsi të pyllit të Katinit, mbetjet u zhvarrosën e u identifikuan pjesërisht. Mirëpo, vetëm tre nga të afërmit e paditësve – Wincenty Wołk, Stanisław Rodowicz e Stanisław Mielecki – u identifikuan në atë kohë. Autoritetet sovjetike e mohuan që t’i kishin ekzekutuar robërit e luftës polakë dhe, pa qasje në dosjet e Politbyrosë apo të NKVD-së, nuk ka qenë e mundur të përcaktohej se çfarë kishte ndodhur me robërit trupat e të cilëve nuk ishin identifikuar. Gjatë luftës së ftohtë, nuk pati asnjë orvatje tjetër për identifikim të viktimave të masakrës së Katinit, meqenëse gjatë gjithë kohës së ekzistencës së regjimit socialist, pra deri më 1989, versioni zyrtar i imponuar në Republikën Popullore të Polonisë kishte qenë versioni sovjetik i vrasjeve të orkestruara prej nazistëve.
184. Më 1990, BRSS-ja e pranoi zyrtarisht përgjegjësinë e udhëheqësve sovjetikë në ekzekutimin e robërve të luftës polakë. Gjatë viteve të mëvonshme, u bënë publike ato dokumente të cilat nuk ishin asgjësuar lidhur me masakrat dhe hetuesit kryen zhvarrime të tjera të pjesshme në disa vendndodhje të ndryshme. Midis prokurorëve polakë, rusë, ukrainas e bjellorusë u mbajtën një varg konsultash.
185. Në datën e ratifikimit të Konventës nga Federata e Rusisë, më 5 maj 1998, kishin kaluar më shumë se pesëdhjetë e tetë vjet që prej ekzekutimit të robërve të luftës polakë. Duke pasur parasysh gjatësinë e kësaj periudhe, elementet e shfaqura gjatë kësaj kohe dhe përpjekjet e bëra nga palët e ndryshme për të hedhur dritë mbi rrethanat e masakrës së Katinit, Gjykata çmon se, për sa i përket periudhës pas datës kritike, nuk mund të thuhet që paditësit të kenë jetuar në pasiguri lidhur me fatin e të afërmve të tyre të zënë robër nga ushtria sovjetike më 1939. Për rrjedhojë, domosdo, ajo çka mund të paraqitej fillimisht si një çështje “zhdukjeje” duhet të konsiderohet si një çështje “vdekjeje të konfirmuar”. Paditësit e miratojnë këtë mënyrë vlerësimi të fakteve të çështjes (shih, në veçanti, paragrafin 116 të mësipërm si edhe paragrafin 119 të vendimit të dhomës). Përfundimet e dhëna nga juridiksionet ruse në suazën e disa procedurave të brendshme ku ato nuk kanë e pranuar shprehimisht që të afërmit e paditësve të jenë vrarë në kampet sovjetike nuk i ndryshojnë asgjë kësaj analize.
186. Gjykata nuk dyshon për ndjenjën e thellë të keqardhjes dhe të tronditjes që duhet t’u ketë shkaktuar paditësve ekzekutimi pa gjyq i të afërmve të tyre. Ajo rikujton megjithatë se është në interesin e sigurisë juridike, të parashikueshmërisë dhe të barazisë përpara ligjit që ajo të mos u shmanget precedentëve të vetë asaj pa arsye të domosdoshme (Sabri Güneş k. Turqisë [DhM], nr. 27396/06, § 50, 29 qershor 2012). Ashtu siç ajo e ka thënë tashmë, jurisprudenca e saj e pranon se vuajtja e të afërmve të një “personi të zhdukur”, të cilëve u është dashur të jetojnë për një kohë të gjatë midis shpresës dhe dëshpërimit, mund ta përligjë një konstatim shkeljeje më vete të nenit 3 për arsye të qëndrimit tejet të pandjeshëm të autoriteteve kombëtare ndaj kërkesave të tyre për marrje të dhënash. Për sa i përket kësaj çështjeje, Gjykata ka kompetencë vetëm për aq sa ka të bëjë me periudhën që ka filluar më 5 maj 1998, datë e hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rusisë. Ajo ka dalë këtu më sipër në përfundimin se duhej të konsiderohej që pas kësaj date nuk mbetej më asnjë pasiguri lidhur me fatin e robërve të luftës polakë. Ndonëse nuk janë gjetur të gjithë trupat, vdekja e të interesuarve është pranuar botërisht nga autoritetet sovjetike e pastaj nga autoritetet ruse dhe është kthyer në një fakt historik të vërtetuar. Sado që përmasat e krimeve të kryera nga autoritetet sovjetike më 1940 janë të tilla që të ngjallin shumë emocion, prapëseprapë, në një pikëpamje thjesht juridike, Gjykata nuk mund të shohë aty një arsye të domosdoshme për t’u shmangur nga jurisprudenca e saj lidhur me njohjen e cilësisë së viktimës së një shkeljeje të nenit 3 për të afërmit e “personave të zhdukur” dhe për t’ua dhënë këtë cilësi paditësve, për të cilët vdekja e të afërmve të tyre ishte diçka e sigurt.
187. Për më tepër, Gjykata nuk vë re se ekziston asnjë tjetër nga rrethanat e posaçme që e kishin shpënë atë në konstatimin e një shkeljeje më vete të nenit 3 në çështjet e “vdekjeve të konfirmuara” (shih jurisprudencën e cituar në paragrafin 181 të mësipërm).
188. Në këto kushte, Gjykata çmon se vuajtja e paditësve nuk mund të paraqitet sikur ka marrë një përmasë e një karakter të dallueshëm nga tronditja që mund të konsiderohet si e pashmangshme për të afërmit e viktimave të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.
189. Për këtë arsye, Gjykata del në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës.
IV. RRETH RESPEKTIMIT TË NENIT 38 TË KONVENTËS NGA SHTETI I PADITUR
190. Disa herë me radhë, Gjykata i ka kërkuar qeverisë së paditur që të paraqesë një kopje të vendimit të 21 shtatorit 2004 për arkivimin e hetimit rreth masakrës së Katinit (paragrafi 45 i mësipërm). Përballë mospranimit të Qeverisë për ta dhënë dokumentin e kërkuar, ajo i ka ftuar palët që të paraqesin vërejtje rreth pikës së respektimit nga ana e saj të detyrimit që neni 38 i Konventës i caktonte asaj për t’i krijuar Gjykatës të gjitha lehtësitë e nevojshme për kryerjen e hetimit të saj. Neni 38 është i formuluar kështu:
“Gjykata e shqyrton çështjen së bashku me përfaqësuesit e palëve dhe, nëse është e nevojshme, ndërmerr një hetim, për kryerjen e efektshme të të cilit Palët e Larta Kontraktuese të interesuara ofrojnë të gjitha lehtësitë e nevojshme.”
A. Vendimi i dhomës
191. Dhoma ka rikujtuar se “vetëm Gjykata mund të vendosë (...) çfarë elementesh prove duhet të paraqesin palët për t’i mundësuar asaj shqyrtimin me korrektësi të dosjes” dhe se “[p]alët janë të detyruara t’u përmbahen kërkesave dhe udhëzimeve të saj lidhur me provat”. Ajo ka vënë re përveç kësaj se Qeveria nuk kishte sjellë asnjë shpjegim të pranueshëm për sa i përket natyrës së nevojave të domosdoshme të sigurisë të cilat mund të kishin çuar në marrjen e vendimit për ta klasifikuar dokumentin e kërkuar. Ajo ka vënë në dukje se ky dokument “kishte të bënte (...) me një ngjarje historike, shumica e protagonistëve të së cilës ishin tashmë të vdekur, dhe [se] për këtë arsye nuk mund të kishte ndonjë ndikim në operacione apo veprimtari mbikëqyrjeje të kryera tani nga policia”. Në një mënyrë më të përgjithshme, ajo ka vënë në dukje se një hetim publik transparent rreth krimeve të kryera nga ish-regjimi totalitar nuk kishte aspak sesi t’i komprometonte nevojat e domosdoshme të sigurisë kombëtare të Federatës së Rusisë së sotme demokratike, aq më tepër që përgjegjësia e autoriteteve sovjetike lidhur me këtë krim ishte pranuar tashmë në nivelin më të lartë politik.
B. Tezat e palëve
1. Qeveria ruse
192. Qeveria mbron pikësëpari mendimin se klasifikimi i 36 vëllimeve të dosjes hetimore dhe i vendimit të 21 shtatorit 2004 në kategorinë e dokumenteve “tepër sekrete” ishte i rregullt, duke sjellë si argument se këto dokumente përmbanin informacione që i përkisnin zbulimit, kundërzbulimit dhe veprimtarive operative e kërkimore dhe se klasifikimi ishte “verifikuar e lënë në fuqi” nga Shërbimi Federal i Sigurimit (FSB) e nga Komisioni Ndërdikasterial për Ruajtjen e Sekreteve Shtetërore, si edhe nga disa vendime të mëvonshme të Gjykatës së Moskës dhe të Gjykatës së Lartë, të cilave u ishte drejtuar organizata Memorial. Ajo parashtron se ligji rus nuk e ndalonte aspak në mënyrë absolute dhënien e informacioneve të ndjeshme organizatave ndërkombëtare dhe se, në qoftë se vendimi i 21 shtatorit 2004 nuk i ishte dhënë Gjykatës, kjo kishte ndodhur për të vetmen arsye se “organet kombëtare kompetente nuk kishin mbërritur në konkluzionin” që kjo gjë ishte e mundur që të bëhej.
193. Qeveria thotë në mbrojtje të saj që neni 38 i Konventës nuk mund të interpretohet në mënyrë që t’i detyrojë shtetet kontraktuese që të zbulojnë informacione të cilat mund ta komprometojnë sigurinë e tyre. Ajo e fton Gjykatën që t’i analizojë ligjet e shteteve të tjera anëtare “që me shumë gjasa ka mundësi të parashikojnë rregulla të ngjashëm”. Ajo u referohet dispozitave të Konventës Evropiane për Ndihmën e Ndërsjellë Gjyqësore në Fushën Penale si edhe marrëveshjes lidhur me ndihmën gjyqësore dhe me marrëdhëniet juridike në fushën civile dhe penale të nënshkruar ndërmjet Federatës së Rusisë dhe Republikës së Polonisë, të cilat i lejuakan shtetit kontraktues që të mos e pranojë plotësimin e një kërkese në ato raste kur dhënia e përgjigjes rrezikuaka të cenojë sovranitetin, sigurinë, rendin publik apo interesa të tjerë themelorë të vendit (ajo citon vendimet Liu k. Rusisë (nr. 2), nr. 29157/09, § 85, 26 korrik 2011, dhe Chahal k. Mbretërisë së Bashkuar, 15 nëntor 1996, § 138, Recueil des arrêts et décisions 1996‑V). Ajo shton se neni 33 i Rregullores së Gjykatës nuk parashikon asnjë sanksion në rast dhënieje të paautorizuar informacionesh konfidenciale që i janë besuar Gjykatës.
194. Qeveria çmon se ajo ka dhënë rreth përmbajtjes së vendimit të 21 shtatorit 2004 informacione të cilat u dashka të konsiderohen si të mjaftueshme për ta përmbushur detyrimin që i ngarkon asaj neni 38. Ajo paska treguar autoritetin që e ka bërë klasifikimin, konsideratat e sigurisë për të cilat bëhet fjalë, arsyet e arkivimit dhe cilësimin juridik të bërë për veprat penale të pretenduara. Vendimi në fjalë nuk i përmendka paditësit dhe as nuk përmbajtka kurrfarë informacioni sado të vogël rreth fatit të të afërmve të tyre apo rreth vendit ku këta të fundit qenkan varrosur.
195. Së fundi, Qeveria kritikon atë që ajo e quan “logjika e pazakontë” e vendimit të dhomës. Ajo çmon se pika lidhur me nenin 38 qenkësh dashur të shqyrtohej në fund të vendimit, ashtu si në çështjet e mëparshme. Ajo shton se detyrimi i caktuar nga neni 38 ka një “karakter të kulluar procedural” dhe se një mospërmbushje e pretenduar e tij “nuk mund t’u shkaktojë as dëmtimin më të vogël paditësve”, as “të ketë epërsi mbi seriozitetin e shkeljeve të pretenduara të neneve 2 e 3”. Sipas saj, detyrimi i parashikuar në nenin 38 nuk duhet të respektohet në çfarëdo rrethane: për vetë natyrën e tij, ai qenka anësor dhe i varur nga ekzistenca e ankimeve të pranueshme në fushën e dispozitave të tjera të Konventës. Mirëpo, në çështjen në fjalë, qenka e kotë të shqyrtohet pika lidhur me respektimin e nenit 38, përderisa Gjykata u dashka ta deklarojë veten jokompetente për ta shqyrtuar në themel ankimin e bërë mbi bazën e nenit 2 të Konventës.
2. Paditësit
196. Paditësit mbrojnë mendimin se, sipas një parimi të së drejtës ndërkombëtare zakonore të përcaktuar prej shumë kohësh, asnjë rregull i së drejtës së brendshme, qoftë ai edhe me vlerë kushtetuese, nuk mund të sillet si argument për të përligjur një mosrespektim të së drejtës ndërkombëtare (ata citojnë jurisprudencën e Gjykatës së Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare dhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – GjND). Ky parim qenka kodifikuar në nenin 27 të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve si zgjatim i parimit më të përgjithshëm pacta sunt servanda dhe qenka zbatuar shpeshherë prej gjykatave dhe organeve gati gjyqësore ndërkombëtare, veçanërisht Komiteti i të Drejtave të Njeriut, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (“GjPNJ”), GjNADNj-ja, Komisioni Afrikan i të Drejtave të Njeriut dhe të Popujve, si edhe juridiksionet e ndryshme të arbitrazhit. Në ato raste kur një shtet palë, për arsye konfidencialiteti, do të tregohej ngurrues që t’i jepte dokumentet e kërkuara, juridiksionet ndërkombëtare do të mbanin seanca me dyer të mbyllura (paditësit citojnë çështjet Godínez Cruz k. Hondurasit, GjNADNj, vendim i 20 janarit 1989, dhe Ballo k. UNESKO-s, Gjykata Administrative e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, vendim nr. 191, 15 maj 1972). Natyrisht, në çështjen e Ngushticës së Korfuzit, GjND-ja nuk paska nxjerrë asnjë pasojë negative nga refuzimi i Britanisë së Madhe për të dhënë disa dokumente që, sipas saj, i përkisnin sekretit detar (vendimi i 9 prillit 1949). Kurse në çështjen Prokurori k. Tihomir Blaškić, GjPNJ-ja e paska gjykuar pa efekt përmendjen e vendimit Ngushtica e Korfuzit nga qeveria kroate si përligjje për mospranimin e saj për të paraqitur disa dokumente dhe elemente me karakter ushtarak, pasi ka çmuar në veçanti se, sikur t’u jepet shteteve një e drejtë e përgjithshme që, për arsye sigurie, të refuzojnë të japin dokumente të nevojshme për procesin, kjo mund ta çojë në dështim vetë funksionin e GjPNJ-së (vendimi i 29 tetorit 1997). GjPNJ-ja paska shtuar se ishte e mundur që, me anë rregullimesh procedurale, për shembull duke mbajtur seanca me dyer të mbyllura e duke ndjekur procedura të posaçme për komunikimin e regjistrimin e dokumenteve të ndjeshme, të merren parasysh arsyet e domosdoshme të sigurisë të parashtruara nga shteti. Në çështjen Prokurori k. Dario Kordić e Mario Čerkez, GjPNJ-ja paska gjykuar për më tepër se vlerësimi i rëndësisë së dokumenteve të kërkuara për qëllimet e procedurës i përkiste vlerësimit të saj sovran dhe nuk mund të kundërshtohej nga shteti (vendimi i 9 shtatorit 1999). Ratio decidendi e këtyre çështjeve qenka e zbatueshme, mutatis mutandis, në çështjen në fjalë.
197. Paditësit e përsëritin që qeveria ruse nuk i ka vërtetuar këto pretendime rreziqesh për sigurinë e shtetit, as shpjeguar përse duhej të klasifikohej një dokument lidhur me mizori të kryera nga regjimi i kaluar totalitar. Vendimi për klasifikim qenka gjithashtu në kundërshtim me ligjin rus për sekretin shtetëror, neni 7 i të cilit e ndaluaka klasifikimin e informacioneve lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut. Mirëpo masakra e Katinit përbëka një shkelje masive të së drejtës për jetën, të kryer me urdhrat e instancave më të larta të BRSS-së.
198. Paditësit i miratojnë konkluzionet e vendimit të dhomës për aq sa ato konstatojnë një shkelje të nenit 38 të Konventës. Ata çmojnë se Gjykata e ka të gjithë pushtetin për të thënë se çfarë dokumenti është i nevojshëm për të për shqyrtimin e çështjes dhe se një mospranim për të bashkëpunuar me të mund të shpjerë në një konstatim shkeljeje të nenit 38 edhe nëse nuk është vërtetuar asnjë shkelje e së drejtës materiale të garantuar.
3. Qeveria polake
199. Qeveria polake pajtohet me analizën e dhomës lidhur me konstatimin e një shkeljeje të nenit 38 të Konventës. Ajo vë në dukje qysh në fillim se, edhe përpara Gjykatës, qeveria ruse ka paraqitur informacione kontradiktore për sa i përket autorit dhe datës së vendimit për klasifikimin e dokumenteve. Në vërejtjet e saj të 19 marsit 2010, qeveria ruse paska thënë që vendimi ishte marrë nga Komisioni Ndërdikasterial, ndërsa në vërejtjet e saj me shkrim të 30 nëntorit 2012 ajo paska vënë në dukje se këtë vendim e kishte marrë Prokuroria Ushtarake Qendrore, në konsultim me FSB-në.
200. Qeveria polake është e mendimit se vendimi për klasifikimin e dokumenteve të hetimit ishte në kundërshtim me të drejtën materiale ruse. Sipas saj, Kodi rus i Procedurës Penale e përkufizonte qartë se çfarë duhej të përmbante një vendim arkivimi dhe përjashtonte çdo përmendje informacionesh të klasifikuara si sekret shtetëror. Edhe sikur vendimi të përmbante informacione rreth personave të synuar nga procedura, prapëseprapë nuk do të kishte pasur përse ai të klasifikohej si tepër sekret në tërësinë e tij. Çdo informacion lidhur me udhëheqësit e lartë sovjetikë do të kishte pasur të bënte me periudhën përpara vitit 1970 dhe, në datën e miratimit të vendimit, periudha maksimale e klasifikimit, e caktuar në 30 vjet nga neni 13 i Ligjit për Sekretin Shtetëror, do të kishte përfunduar kështu tashmë. Nga ana tjetër, meqenëse qeveria ruse e paska pranuar që veprimet e udhëheqësve sovjetikë ishin kualifikuar juridikisht si shpërdorim detyre, ky informacion, në bazë të nenit 7 të Ligjit për Sekretin Shtetëror, qenkësh shprehimisht i paklasifikueshëm. Përveç kësaj, qeveria ruse nuk paska paraqitur kurrfarë vendimi të arsyetuar lidhur me klasifikimin.
201. Së fundi, hetimi rreth Katinit nuk paska synuar funksionet ose operacionet e tanishme të shërbimeve speciale të policisë. Sado që një pjesë e dokumenteve qenkan klasifikuar nga regjimi i mëparshëm, sot nuk ekzistuaka më asnjë arsye me interes të mirëfilltë publik e cila ta përligjë mbajtjen e kësaj mase.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parime të përgjithshme
202. Gjykata rikujton se, për një funksionim efikas të sistemit të ankimit individual të vendosur nga neni 34 i Konventës, kryesorja është që shtetet kontraktuese të bashkëpunojnë sa më shumë që të jetë e mundur për të mundësuar një shqyrtim serioz e efektiv të kërkesave. Ato kanë kështu detyrimin që t’i krijojnë Gjykatës të gjitha lehtësitë e nevojshme, qoftë kur ajo kërkon të vërtetojë faktet apo kur kërkon të kryejë funksionet e saj të përgjithshme që kanë lidhje me shqyrtimin e kërkesave. Mosdhënia nga një qeveri, pa justifikim të kënaqshëm, e informacioneve që ajo zotëron mundet jo vetëm ta shtyjë Gjykatën për të nxjerrë konkluzione lidhur me vërtetësinë e pretendimeve të paditësit, por edhe të ketë pasoja negative rreth vlerësimit të masës në të cilën shteti i paditur mund të paraqitet sikur i ka përmbushur detyrimet e tij që rrjedhin nga neni 38 i Konventës (Tahsin Acar k. Turqisë [DhM], nr. 26307/95, §§ 253-254, GjEDNj 2004‑III; Timurtaş k. Turqisë, nr. 23531/94, §§ 66 e 70, GjEDNj 2000‑VI, dhe Tanrıkulu k. Turqisë [DhM], nr. 23763/94, § 70, GjEDNj 1999‑IV).
203. Detyrimi për t’i dhënë elementet e provës që kërkohen nga Gjykata lind për shtetin e paditur që me formulimin e kërkesës, qoftë kur kjo e fundit bëhet gjatë njoftimit fillestar të Qeverisë për kërkesëpadinë, qoftë kur ajo bëhet në një stad të mëvonshëm të procedurës (Enoukidze e Guirgvliani k. Gjeorgjisë, nr. 25091/07, § 295, 26 prill 2011, dhe Bekirski k. Bullgarisë, nr. 71420/01, §§ 111-113, 2 shtator 2010). Është një kërkesë themelore që dokumentet e kërkuara të paraqiten të plota, në qoftë se Gjykata e ka saktësuar ashtu, dhe mungesa e një elementi, cilido qoftë ai, duhet të jetë e përligjur në mënyrën e duhur (Damir Sibgatullin k. Rusisë, nr. 1413/05, §§ 65‑68, 24 prill 2012; Enoukidze e Guirgvliani, i cituar më lart, §§ 299-300, dhe Davydov me të tjerë k. Ukrainës, nr. 17674/02 e nr. 39081/02, §§ 167 e vijues, 1 korrik 2010). Përveç kësaj, çdo dokument i kërkuar duhet të paraqitet në afatin më të shkurtër e gjithsesi brenda afatit të caktuar nga Gjykata, ndërsa një vonesë substanciale dhe e pashpjeguar mund ta shtyjë këtë të fundit që t’i gjykojë si jo bindëse shpjegimet e shtetit të paditur (vendime të cituara më lart Damir Sibgatullin, § 68; Tahsin Acar, § 254, dhe Enoukidze e Guirgvliani, §§ 297 e 301).
204. Gjykata ka dalë në përfundimin se nuk janë respektuar kërkesat e nenit 38 në disa çështje të mëparshme ku qeveria e paditur nuk kishte dhënë asnjë shpjegim për mospranimin e saj për t’i paraqitur dokumentet e kërkuara (shih, për shembull, Bekirski, i cituar më lart, § 115; Tigran Ayrapetyan k. Rusisë, nr. 75472/01, § 64, 16 shtator 2010, dhe Maslova e Nalbandov k. Rusisë, nr. 839/02, §§ 128-129, 24 janar 2008) ose kishte përcjellë një kopje të paplotë a të dëmtuar duke mos pranuar të paraqiste origjinalin për qëllime inspektimi nga Gjykata (Trubnikov k. Rusisë, nr. 49790/99, §§ 50-57, 5 korrik 2005).
205. Në disa çështje ku qeveria e paditur kishte përmendur konfidencialitetin ose konsiderata sigurie për të përligjur mospranimin e saj për paraqitjen e dokumenteve të kërkuara, Gjykatës i është dashur të verifikojë nëse kishte arsye të drejta e të fuqishme për t’i trajtuar dokumentet në fjalë si sekrete apo konfidenciale. Kështu, në shumë çështje që kishin kryesisht si objekt zhdukje personash në Republikën Çeçene, qeveria ruse i ishte referuar një dispozite të Kodit të Procedurës Penale që e pengonte publikimin e dokumenteve të dosjes së një hetimi në vijim e sipër. Gjykata ka vënë në dukje megjithatë se kjo dispozitë nuk përmbante një ndalim absolut, por caktonte më shumë procedurën për publikimin e dokumenteve dhe caqet që duhej të respektoheshin në këtë fushë. Ajo ka vënë re gjithashtu se, në shumë çështje të tjera të ngjashme, qeveria ruse i kishte dhënë dokumentet e kërkuara pa e përmendur këtë dispozitë ose kishte pranuar t’i paraqiste dokumentet e një dosjeje hetimore megjithëse fillimisht i ishte referuar asaj (shih, për shembull, Sasita Israilova me të tjerë k. Rusisë, nr. 35079/04, § 145, 28 tetor 2010, dhe Musikhanova me të tjerë k. Rusisë, nr. 27243/03, § 107, 4 dhjetor 2008).
206. Për sa i përket dokumenteve të klasifikuara si sekret, Gjykata nuk i ka gjykuar si bindëse, në çështje të tjera, argumentet e qeverisë së paditur se rregullat për procedurën e kontrollit të korrespondencës së të burgosurve i përkisnin sekretit shtetëror (Davydov me të tjerë, i cituar më lart, § 170) apo se e drejta e brendshme nuk parashikonte asnjë procedurë për dhënien e informacioneve të klasifikuara si sekret shtetëror një organizate ndërkombëtare (Nolan e K. k. Rusisë, nr. 2512/04, § 56, 12 shkurt 2009). Ajo ka theksuar se, po të kishte arsye të domosdoshme e të drejta lidhur me sigurinë kombëtare, qeveria do të kishte mundur t’i hiqte pjesët e ndjeshme ose të paraqiste një përmbledhje të elementeve faktike me rëndësi për çështjen (po aty). Së fundi, në suazën e shqyrtimit të saj për natyrën e informacioneve të klasifikuara, ajo ka qenë e mendimit se duhej të merrej parasysh pika nëse dokumentet në fjalë ishin ose jo të njohura nga persona të huaj për shërbimet e zbulimit dhe nga sferat më të larta të shtetit. Ajo e ka vënë në dyshim karakterin shumë të ndjeshëm që u është veshur informacioneve në fjalë nëse dilte qartësisht që disa profanë si avokati i njërës palë në një proces civil mundte të njihej me dokumentin që i përmbante ato (po aty).
2. Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në çështjen në fjalë
207. Kur e ka njoftuar qeverinë e paditur për dy kërkesëpaditë në zanafillë të kësaj çështjeje, Gjykata i ka drejtuar palëve një numër të caktuar pyetjesh dhe i është lutur Qeverisë që t’i japë asaj një kopje të vendimit të 21 shtatorit 2004 për arkivimin e dosjes penale nr. 159. Duke përmendur faktin se ky ishte klasifikuar “tepër sekret” në planin e brendshëm, Qeveria nuk ka pranuar që ta paraqesë atë. Më 5 korrik 2011, Gjykata ka dhënë një vendim për pranueshmëri të pjesshme, i ka ftuar palët që të paraqesin çdolloj dokumenti shtesë që ato dëshironin të sillnin në vëmendjen e saj dhe ka parashtruar gjithashtu edhe një pyetje rreth respektimit nga ana e Qeverisë të detyrimeve që i takojnë asaj në bazë të nenit 38 të Konventës. Qeveria nuk ka paraqitur kopje të vendimit të kërkuar. Më 30 nëntor 2012 e më 17 janar 2013, në kuadrin e procedurës përpara Dhomës së Madhe, ajo ka dorëzuar një numër të caktuar dokumentesh shtesë, por ndër të cilët nuk figuronte kopja e kërkuar e vendimit të 21 shtatorit 2004.
208. Gjykata rikujton që neni 38 i Konventës i detyron shtetet kontraktuese që t’i japin asaj të gjitha lehtësitë e nevojshme, qoftë kur ajo kërkon të vërtetojë faktet, qoftë kur kërkon të kryejë funksionet e saj të përgjithshme që kanë lidhje me shqyrtimin e kërkesave. Duke qenë vetë e zonja e procedurës dhe e rregullores së saj, ajo vlerëson në liri të plotë jo vetëm pranueshmërinë e lidhjen që ka me çështjen çdo element i dosjes, por edhe vlerën e tij bindëse. Vetëm ajo mund të vendosë nëse pjesëmarrja e një dëshmitari apo e një tjetri do të ishte e dobishme dhe në çfarë mase do të ishte ajo e dobishme për vërtetimin e fakteve, si edhe se çfarë mjetesh prove duhet të paraqesin palët për ta bërë atë që të jetë në gjendje për ta shqyrtuar dosjen me korrektësi. Palët janë të detyruara që të veprojnë në përputhje me kërkesat e udhëzimet e saj në fushën e provës, ose që ta njoftojnë atë sa më parë për çdo pengesë që hasin në këtë drejtim, ose që të japin një shpjegim të arsyeshëm apo bindës në rast mosbindjeje (Davydov me të tjerë, i cituar më lart, § 174; Nevmerjitski k. Ukrainës, nr. 54825/00, § 77, GjEDNj 2005‑II, dhe Irlanda k. Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, § 210, seria A nr. 25). Mjafton pra që Gjykata t’i gjykojë elementet e përmbajtura në vendimin e kërkuar si të nevojshme për vërtetimin e fakteve të çështjes (Dedovski me të tjerë k. Rusisë, nr. 7178/03, § 107, GjEDNj 2008, dhe Akhmadova et Sadulajeva k. Rusisë, nr. 40464/02, § 137, 10 maj 2007).
209. Për sa i përket argumentit të qeverisë ruse se detyrimi që rezulton për të nga neni 38 i Konventës për t’i krijuar të gjitha lehtësitë e nevojshme për hetimin e çështjes paska një karakter anësor, Gjykata rikujton se ky detyrim qëndron përkrah zotimit, të marrë sipas nenit 34 të Konventës, për të mos e penguar ushtrimin efektiv të së drejtës së ankimit individual. Dhe vërtet, ushtrimi efektiv i kësaj të drejte mund të pengohet në qoftë se një Palë Kontraktuese nuk e ndihmon Gjykatën kur kjo e fundit shqyrton tërësinë e rrethanave të çështjes, sidomos për shembull kur nuk paraqiten elementet e provës që ajo i çmon si thelbësore për misionin e saj. Nenet 34 e 38 bashkëveprojnë për të garantuar ndjekjen efektive të procedurës gjyqësore; ata kanë të bëjnë që të dy më shumë me pika procedurale sesa me themelin e ankimeve të formuluara nga paditësit në fushën e dispozitave materiale të Konventës ose të Protokolleve të saj. Ndonëse plani i vendimeve të saj ndjek tradicionalisht rendin e numërtimit të neneve të Konventës, shpeshherë Gjykata e prek qysh në fillim pikën lidhur me respektimin nga qeveria e paditur të detyrimit procedural që rrjedh nga neni 38, veçanërisht në qoftë se duhet të nxirren pasoja negative nga mosparaqitja e elementeve të kërkuara prej qeverisë së lartpërmendur (shih, ndër të tjera, Shakhgirijeva me të tjerë k. Rusisë, nr. 27251/03, §§ 134‑140, 8 janar 2009; Utsajeva me të tjerë k. Rusisë, nr. 29133/03, §§ 149-153, 29 maj 2008; Zubairajev k. Rusisë, nr. 67797/01, §§ 74-77, 10 janar 2008, dhe Tangijeva, i cituar më lart, §§ 73-77). Gjykata rikujton për më tepër në këtë drejtim se ajo mund të konstatojë një mospërmbushje nga ana e shtetit të paditur të detyrimeve të tij procedurale edhe në mungesë të çdolloj ankimi të pranueshëm të bërë për një shkelje të një të drejte materiale të mbrojtur nga Konventa (Poleshçuk k. Rusisë, nr. 60776/00, 7 tetor 2004). Madje, nuk është e nevojshme që mungesa e bashkëpunimit për të cilën qortohet qeveria ta ketë kufizuar ose dëmtuar efektivisht në mënyrë të ndjeshme ushtrimin e së drejtës së ankimit individual (McShane k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 43290/98, § 151, 28 maj 2002). Gjykata ripohon se detyrimet procedurale që u bien Palëve Kontraktuese sipas neneve 34 e 38 të Konventës duhet të respektohen pavarësisht nga përfundimi që mund të ketë procedura dhe në një mënyrë që shmang çdolloj efekti shkëshillues real ose potencial mbi paditësit apo mbi përfaqësuesit e tyre.
210. Në lidhje me shpjegimin e dhënë nga Qeveria për të përligjur mosparaqitjen e një kopjeje të vendimit të kërkuar, Gjykata vëren se ai mbështetet në faktin se vendimi ishte klasifikuar në respektim të normave ligjore në planin e brendshëm dhe se ligjet e rregulloret në fuqi e pengonin dhënien e dokumenteve të klasifikuara organizatave ndërkombëtare në mungesë të garancive për sa i përket respektimit të konfidencialitetit të tyre.
211. Gjykata rikujton se, në një çështje tjetër që kishte të bënte me Rusinë, ajo ka gjykuar tashmë që vetëm referimi ndaj mangësisë strukturore të së drejtës së brendshme, e cila e bënte të pamundur që organizatave ndërkombëtare t’u komunikohen dokumente të ndjeshme, nuk përbënte një shpjegim të mjaftueshëm për të përligjur mosdhënien e informacioneve të kërkuara prej saj (Nolan e K., i cituar më lart, § 56). Përveç kësaj, ajo i ka hedhur tashmë poshtë disa vërejtje të ngjashme të formuluara nga Qeveria lidhur me mungesën në rregulloren e saj të dispozitave që e garantojnë konfidencialitetin e dokumenteve ose që parashikojnë sanksionimin e atyre shtetasve të huaj që nuk do ta respektonin atë (Shakhgirijeva me të tjerë, i cituar më lart, §§ 136-140). Gjykata rikujton lidhur me këtë se Konventa është një traktat ndërkombëtar i cili, në përputhje me parimin pacta sunt servanda të kodifikuar në nenin 26 të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve, përbën detyrim për Palët Kontraktuese dhe duhet të zbatohet prej tyre në mirëbesim. Sipas nenit 27 të Konventës së Vjenës, asnjë dispozitë e së drejtës së brendshme nuk mund të përmendet për të përligjur moszbatimin e një traktati nga një Palë Kontraktuese. Lidhur me detyrimin që përmban neni 38 i Konventës, ky rregull do të thotë që qeveria e paditur nuk mund t’i referohet as pengesës më të vogël sipas së drejtës së brendshme, për shembull mungesës së një vendimi ad hoc të një dikasteri tjetër të Shtetit, për të përligjur një refuzim për t’i dhënë të gjitha lehtësitë e nevojshme për shqyrtimin e çështjes nga Gjykata. Qëndrimi i përhershëm i Gjykatës është që shtetet kontraktuese janë përgjegjës në vështrim të Konventës për veprimet e organeve të tyre sepse, në të gjitha çështjet që i drejtohen asaj, ajo çka vihet në pikëpyetje është përgjegjësia ndërkombëtare e shtetit (Lukanov k. Bullgarisë, 20 mars 1997, § 40, Recueil 1997‑II).
212. Qeveria i ka paraqitur sigurisht Dhomës së Madhe kopje të vendimeve të dhëna nga gjykatat e brendshme në kuadrin e procedurës së shklasifikimit, por këto dokumente nuk e ndriçojnë aspak natyrën e saktë të arsyeve të domosdoshme të sigurisë mbi të cilat mendohej se mbështetej klasifikimi i një pjese të dokumenteve të dosjes penale, e sidomos ai i vendimit të 21 shtatorit 2004 të kërkuar nga Gjykata. Duket qartë se vendimi për klasifikim nuk është marrë kryesisht nga Prokuroria Ushtarake Qendrore, por më fort sipas mendimit të disa nëpunësve të lartë të FSB-së, e cila ishte “kompetente për të vepruar ashtu siç e mendon[te] me informacionet e përsëritura në vendim[in] [e Prokurorisë Ushtarake Qendrore]”. Këto juridiksione të brendshme e kanë pranuar nga ana e tyre, pa dhënë saktësime të mëtejshme, se vendimi i 21 shtatorit 2004 përmbante disa informacione “që i përkasin zbulimit, kundërzbulimit dhe veprimtarive operative e kërkimore” (paragrafi 64 i mësipërm).
213. Gjykata rikujton se ajo nuk i ka realisht mjetet për të kundërshtuar, në një rast të dhënë, mendimin e autoriteteve kombëtare se bëhet fjalë për disa konsiderata të sigurisë kombëtare. Megjithatë, edhe kur duhet të merren parasysh konsiderata të tilla, parimet e ligjshmërisë dhe të shtetit të së drejtës të cilat janë të zbatueshme në një shoqëri demokratike kërkojnë që çdo masë që prek të drejtat themelore të individit të mund t’i nënshtrohet një trajte procedure me ballafaqim përpara një organi të pavarur kompetent për të shqyrtuar arsyet e vendimit në fjalë dhe provat që lidhen me të. Në fakt, po të ishte e pamundur që të kundërshtohet efektivisht një arsye e domosdoshme sigurie kombëtare e përmendur nga ekzekutivi, atëherë autoritetet e shtetit do të mund t’i cenonin arbitrarisht të drejtat e mbrojtura nga Konventa (Liu, i cituar më lart, §§ 85-87, dhe Al-Nashif k. Bullgarisë, nr. 50963/99, §§ 123-124, 20 qershor 2002).
214. Në çështjen në fjalë, vendimi i dhënë nga Gjykata e Moskës më 2 nëntor 2010, i cili u la në fuqi nga Gjykata e Lartë, nuk përmban asnjë analizë në themel të arsyeve që mendohet se e përligjin mbajtjen e klasifikimit të dokumenteve të dosjes. Ai nuk jep mundësi as që të përcaktohet nëse ky juridiksion kishte marrë ndonjë kopje të mendimit të hartuar nga FSB-ja. Juridiksionet kombëtare nuk e kanë shqyrtuar seriozisht tezën e ekzekutivit sipas së cilës informacionet e përmbajtura në vendimin për arkivim të dosjes duhej të mbeteshin sekrete më shumë se shtatëdhjetë vjet pas fakteve. Ato janë kufizuar vetëm duke verifikuar se vendimi për klasifikim ishte marrë me të vërtetë në kuadrin e kompetencës administrative të autoriteteve përkatëse, pa kërkuar në mënyrë të pavarur nëse ishte i bazuar në fakt në mënyrë të arsyeshme konkluzioni se një shklasifikim do të kishte përbërë rrezik për sigurinë kombëtare. Ato nuk i janë përgjigjur në themel organizatës Memorial, e cila mbronte mendimin se, në bazë të nenit 7 të Ligjit për Sekretin Shtetëror, vendimi për arkivim nuk mund të klasifikohej dot, përderisa ai i jepte fund një hetimi rreth masakrimit të robërve të paarmatosur, një fakt ky që, sipas Memorial-it, përbën një shkelje shumë të rëndë të të drejtave të njeriut, të kryer me urdhrat e udhëheqësve më të lartë sovjetikë. Së fundi, ato nuk kanë vënë në balancë, në njërën anë, nevojën e pretenduar për të mbrojtur informacionet në zotërim të FSB-së dhe, në anën tjetër, interesin e publikut për të parë të ndiqet një hetim transparent rreth krimeve të regjimit të kaluar totalitar dhe interesin privat të familjeve të viktimave që të shohin të sqarohen rrethanat e vdekjes së të afërmve të tyre. Duke pasur parasysh këtë rreze të kufizuar veprimi të kontrollit gjyqësor të cilit i është nënshtruar në nivelin e brendshëm vendimi për klasifikim, Gjykata nuk mund ta pranojë që paraqitja e një kopjeje të vendimit të 21 shtatorit 2004 të kërkuar prej saj do të mund ta dëmtonte sigurinë kombëtare të Rusisë.
215. Për të përfunduar, Gjykata thekson se, në suazën e procedurës së saj, ajo mund t’u përgjigjet arsyeve të domosdoshme e të drejta të sigurisë kombëtare me rregullime të përshtatshme, për shembull duke e kufizuar qasjen në disa dokumente sipas nenit 33 të Rregullores së saj ose, në shkallë të fundit, duke mbajtur një seancë me dyer të mbyllura. Ndërkohë që ka qenë plotësisht e informuar për këto mundësi dhe ndonëse detyra për të formuluar dhe përligjur një kërkesë në këtë drejtim i takon palës që dëshiron të marrë garanci konfidencialiteti, qeveria ruse nuk e ka kërkuar zbatimin e masave të tilla.
216. Prandaj, Gjykata del në përfundimin se, duke mos pranuar që të paraqiste një kopje të dokumentit të kërkuar prej saj, Qeveria nuk i ka përmbushur në çështjen në fjalë detyrimet që rezultojnë për të nga neni 38 i Konventës.
V. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
217. Sipas nenit 41 të Konventës,
“Kur Gjykata konstaton shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese mundëson vetëm ndreqjen e pjesshme të pasojave të shkaktuara nga shkelja, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
218. Z. Jerzy Karol Malewicz, Z. Janowiec dhe Z. Trybowski kërkojnë zhdëmtim për humbjen e të atit, për dy të parët, dhe gjyshit, për të tretin. Të gjithë paditësit kërkojnë gjithashtu, si shpërblim të drejtë për dëmin moral që thonë se u është shkaktuar nga shkeljet e pretenduara të neneve 2 e 3 të Konventës, një shumë caktimin e masës të së cilës ia lënë në dorë Gjykatës.
219. Qeveria i kundërshton këto kërkesa.
220. Gjykata nuk ka dalë në përfundimin që të ketë pasur shkelje, as të nenit 2, as të nenit 3 të Konventës, të cilëve u janë referuar paditësit. Për sa i përket mosrespektimit të nenit 38 të Konventës nga qeveria ruse, ajo çmon se aty bëhet fjalë për një pikë procedure e cila nuk e përligj dhënien e një shume si shpërblim të drejtë. Ajo i rrëzon për rrjedhojë kërkesat e formuluara nga paditësit për dëm material dhe për dëm moral.
B. Kosto dhe shpenzime
221. Paditësit kërkojnë shumat e mëposhtme:
i) 25 024,82 euro (EUR) për honorarët e Z. Szewczyk (përveç shumës së paguar nga Gjykata për ndihmën gjyqësore);
ii) 7 000 EUR për honorarët e Z. Karpinskiy dhe Znjës Stavitskaya lidhur me procedurat pranë juridiksioneve ruse,
iii) 7 581 EUR e 1 199,25 zlloti polakë për shpenzimet e udhëtimit e të përkthimit të shkaktuara nga procedura pranë dhomës;
iv) 4 129 EUR për shpenzimet e udhëtimit e të strehimit lidhur me përgatitjen e me pjesëmarrjen e avokatëve dhe të paditësve në seancën e shpalljes së vendimit të dhomës dhe në seancën përpara Dhomës së Madhe;
v) 124 EUR për shpenzimet e përkthimit e ato postare lidhur me procedurën përpara Dhomës së Madhe.
222. Përveç këtyre, Z. Jerzy Karol Malewicz kërkon 2 219,36 dollarë amerikanë për shpenzimet e udhëtimit e të strehimit të paguara prej tij e prej së bijës që të vinin për të qenë të pranishëm në seancën pranë dhomës.
223. Qeveria çmon se honorarët e Z. Szewczyk duken të tepruara, se nevoja e shpenzimeve të udhëtimit nuk është e vërtetuar në mënyrë bindëse dhe se dy avokatët rusë kanë marrë pjesë vetëm në procedurat për “rehabilitim” të ndjekura në Rusi, të cilat dalkan jashtë fushës së kësaj çështjeje. Përveç kësaj, shumat e kërkuara nga avokatët rusë nuk qenkan të bazuara në asnjë listë tarifash dhe as në raport me vëllimin e punës së kryer realisht. Për sa i përket shpenzimeve që kanë pranuar të bëjnë paditësit për të mundur që të ishin të pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit të dhomës e në seancën përpara Dhomës së Madhe, nevoja e tyre nuk qenka e vërtetuar, përderisa paditësit kanë qenë të përfaqësuar nga një ekip prej tre avokatësh. Së fundi, meqenëse Ztë Sochański e Kamiński kanë punuar falas sipas vetë pohimit të tyre, ata nuk paskan kurrfarë baze për të kërkuar as shumën më të vogël për përgatitjen e çështjes.
224. Gjykata rikujton se ajo nuk ka konstatuar asnjë nga shkeljet e pretenduara prej paditësve. Ajo e pranon megjithatë se mosrespektimi i nenit 38 të Konventës nga qeveria ruse u ka kërkuar një punë shtesë përfaqësuesve të paditësve, të cilëve u është dashur ta prekin këtë çështje në vërejtjet e tyre me shkrim dhe me gojë. Ajo e çmon prapëseprapë të mjaftueshme, duke pasur parasysh rrethanat, masën e shumave që u janë paguar përfaqësuesve të paditësve për ndihmën gjyqësore. Për këto arsye, Gjykata e rrëzon kërkesën për kosto e shpenzime.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Thotë, njëzëri, se Ztë Piotr Malewicz dhe Kazimierz Raczyński kanë cilësi për ta ndjekur padinë përkatësisht në vend të të ndjerit Krzysztof Jan Malewicz dhe të së ndjerës Halina Michalska;
2. Thotë, me trembëdhjetë vota në favor e katër kundër, se Gjykata nuk ka kompetencë për të shqyrtuar ankimin e bërë në bazë të nenit 2 të Konventës;
3. Thotë, me dymbëdhjetë vota në favor e pesë kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës;
4. Thotë, njëzëri, se shteti i paditur nuk i ka përmbushur detyrimet e tij që rrjedhin prej nenit 38 të Konventës;
5. E rrëzon, me dymbëdhjetë vota në favor e pesë kundër, kërkesën për shpërblim të drejtë të paraqitur nga paditësit.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 21 tetor 2013.
Erik FriberghJosep Casadevall
SekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i gjyqtares Gyulumyan;
– mendim pajtues i gjyqtarit Dedov;
– mendim pjesërisht pajtues e pjesërisht kundërshtues i gjyqtarit Wojtyczek;
– mendim pjesërisht kundërshtues i gjyqtarëve Ziemele, de Gaetano, Laffranque dhe Keller.
J.C.
E.F.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy