© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 167
Tetor 2013
Janowiec me të tjerë k. Rusisë [GC] - 55508/07 et 29520/09
Vendim 21.10.2013 [DhM]
Neni 3
Trajtim çnjerëzor
Detyrime pozitive
Mosdhënie e pretenduar llogarie në mënyrë të kënaqshme për fatin e robërve polakë të ekzekutuar nga policia e fshehtë sovjetike në Katin më 1940 : jo shkelje
Neni 35
Neni 35-3
Ratione temporis
Kompetencë ratione temporis e Gjykatës për sa i përket disa vdekjeve të ndodhura 58 vjet përpara hyrjes në fuqi të Konventës ndaj shtetit të paditur: prapësim paraprak i pranuar
Neni 38
Neni 38-1-a
Detyrim për dhënie të të gjitha lehtësive të nevojshme
Mospranim për arsye sigurie kombëtare për të dhënë kopje të një vendimi me të cilin gjyqtari i brendshëm e ka arkivuar hetimin penal rreth masakrës së Katinit: mospërmbushje e detyrimit për të vepruar në përputhje me nenin 38
Faktet – Paditësit janë pjesëtarë të familjeve të oficerëve dhe funksionarëve polakë të burgosur në kampe ose burgje sovjetike pas pushtimit të Republikës së Polonisë nga Ushtria e Kuqe në shtator 1939, pastaj të ekzekutuar nga policia e fshehtë sovjetike, pa u gjykuar, bashkë me më shumë se 21 000 persona të tjerë në prill e maj 1940. Viktimat u varrosën në gropa të përbashkëta në pyllin e Katinit. Hetime rreth këtyre masakrave u nisën më 1990 por u arkivuan me një vendim të dhënë më 2004. Teksti i këtij vendimi mbetej i klasifikuar në datën e vendimit të Gjykatës Evropiane dhe paditësit nuk kanë pasur qasje në të. Kërkesat e tyre të përsëritura për qasje në këtë vendim dhe për heqje të klasifikimit të tij si tepër sekret u rrëzuan në çdo rast nga gjykatat ruse. Autoritetet ruse nuk pranuan gjithashtu që t’i paraqesin një kopje të vendimit Gjykatës Evropiane me arsyetimin se ky dokument nuk ishte thelbësor për dosjen e paditësve dhe se e drejta e brendshme ua ndalonte atyre që të jepnin informacione të klasifikuara.
Në një vendim të dhënë më 16 prill 2012 (shih Shënimin informativ 151), një dhomë e Gjykatës ka gjykuar me katër vota në favor e tri kundër se, duke mos dhënë kopje të vendimit për arkivimin e hetimit, Qeveria e kishte shkelur nenin 38 të Konventës, por se ajo nuk kishte kompetencë ratione temporis për ta shqyrtuar në themel ankimin e bërë nga paditësit në bazë të një mospërmbushjeje të detyrimit për të kryer një hetim efektiv rreth vdekjeve. Me pesë vota në favor dhe dy kundër, ajo ka dalë në përfundimin se kishte pasur shkelje të nenit 3 ndaj dhjetë prej paditësve për shkak të vuajtjeve të shkaktuara nga mospërfillja e shprehur vazhdimisht prej autoriteteve ruse ndaj situatës së tyre.
Ligji – Neni 2 (pjesa procedurale): Gjykata rikujton se kompetenca e saj kohore për të shqyrtuar respektimin nga shteti të detyrimit të tij procedural që rrjedh nga neni 2 dhe që i kërkon atij të kryejë patjetër një hetim efektiv për çdo cenim të parregullt të së drejtës për jetën nga agjentë të shtetit, nuk është e pakufizuar kur vdekjet kanë ndodhur përpara datës së hyrjes në fuqi të Konventës ndaj shtetit në fjalë. Gjykata ka pra kompetencë vetëm për veprimet e mosveprimet me natyrë procedurale të kryera pas kësaj date dhe vetëm në qoftë se ekziston një “lidhje e mirëfilltë” ndërmjet faktit në zanafillë dhe hyrjes në fuqi. Në mënyrë që të mund të vendoset një “lidhje e mirëfilltë”, periudha e kaluar midis vdekjes dhe datës së ratifikimit duhet të mbetet relativisht e shkurtër dhe një pjesë e rëndësishme e hetimit duhet të ketë qenë ose të kishte qenë e kryer pas datës së hyrjes në fuqi. Për këtë qëllim, një periudhë kohe relativisht e shkurtër do të thotë një afat që nuk i kapërcen dhjetë vjet.
Me sa shihet nga dosja, duhet të prezumohet që të afërmit e paditësve janë ekzekutuar nga autoritetet sovjetike më 1940. Mirëpo Rusia e ka ratifikuar Konventën vetëm në maj 1998, pra rreth pesëdhjetë e tetë vjet më pas. Kjo periudhë kohe është jo vetëm shumë më e gjatë sesa ajo e konstatuar në të gjithë precedentët ku Gjykata e ka gjykuar si të zbatueshëm detyrimin procedural të nenit 2, por është gjithashtu edhe në përgjithësi mjaft tepër e gjatë për të vendosur një lidhje të mirëfilltë midis vdekjeve dhe hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rusisë. Përveç kësaj, ndonëse hetimi rreth prejardhjes së varreve masive ka marrë fund formalisht vetëm më 2004, ose gjashtë vjet pas hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rusisë, prapëseprapë, mbi bazën e elementeve të dosjes dhe të vërejtjeve të palëve, asnjë masë hetimore e denjë për këtë emër nuk mund të konstatohet pas vitit 1998. Gjykata nuk ka sesi të pranojë që një rishqyrtim i provave, një kthesë në krahasim me disa konkluzione të mëparshme apo një vendim për klasifikim të dokumenteve të dosjes hetimore të mund të konsiderohen si “një pjesë e rëndësishme e hetimit”, e nevojshme për vendosjen e një “lidhjeje të mirëfilltë” sipas nenit 2. Që prej kësaj date, nuk është shfaqur po ashtu asnjë element prove në lidhje me çështjen e asnjë element informacioni për t’u theksuar. Prandaj nuk është plotësuar asnjë prej kritereve që e mundësojnë vërtetimin e ekzistencës së një “lidhjeje të mirëfilltë”.
Sidoqoftë, siç e ka thënë Gjykata në vendimin e saj Šilih k. Sllovenisë, mund të ketë situata të jashtëzakonshme të cilat nuk e plotësojnë kriterin e “lidhjes së mirëfilltë”, por ku nevoja për të mbrojtur në mënyrë reale dhe efektive garancitë e ofruara nga Konventa dhe vlerat ku mbështetet ajo përbën një bazë të mjaftueshme për të pranuar ekzistencën e një lidhjeje. Që të vendoset një lidhje e tillë, ngjarja në fjalë duhet të jetë e një përmase më të gjerë sesa një vepër penale ordinere dhe të përbëjë një mohim të vetë themeleve të Konventës, për shembull një krim lufte ose një krim kundër njerëzimit. I tillë mund të jetë rasti i krimeve të rënda sipas së drejtës ndërkombëtare, për shembull krimet e luftës, gjenocidi ose krimet kundër njerëzimit. Megjithatë, edhe në ato raste, kriteri i “vlerave të Konventës” nuk gjen dot zbatim për ngjarje të ndodhura përpara miratimit të Konventës, më 4 nëntor 1950, sepse kjo e fundit ka filluar të ekzistojë vetëm në këtë datë si instrument ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përgjegjësia e një Pale Kontraktuese nuk ka sesi të angazhohet në fushën e Konventës për moskryerje hetimesh mbi krime të së drejtës ndërkombëtare të cilat kanë ndodhur përpara Konventës, qofshin ato edhe më të rëndat. Në këtë pikëpamje, ka një dallim themelor midis mundësisë së shtetit për të nisur ndjekje penale për një krim të rëndë të së drejtës ndërkombëtare nëse e lejojnë rrethanat dhe detyrimit për ta bërë këtë gjë në bazë të Konventës. Ngjarjet që mund ta kishin bërë të lindte detyrimin për të hetuar në fushën e nenit 2 kanë ndodhur në fillim të vitit 1940, më shumë se dhjetë vjet përpara miratimit të Konventës. Për pasojë, nuk ekziston asnjë element me natyrë të tillë që të krijojë një urë midis së kaluarës së largët dhe periudhës së vonë, pas hyrjes në fuqi të Konventës, dhe Gjykata nuk ka kompetencë për ta shqyrtuar ankimin e bërë në fushën e nenit 2.
Përfundimi: prapësim paraprak i pranuar (trembëdhjetë vota në favor dhe katër kundër).
Neni 3 : Në jurisprudencën e saj, Gjykata e pranon se vuajtja e pjesëtarëve të familjes së një “personi të zhdukur”, të cilëve u është dashur të jetojnë për një kohë të gjatë midis shpresës e dëshpërimit, mund ta përligjë një konstatim shkeljeje më vete të nenit 3 për shkak të qëndrimit veçanërisht të pandjeshëm të autoriteteve kombëtare përballë kërkesave të tyre për të marrë të dhëna. Mirëpo, në rastin e paditësve, Gjykata ka kompetencë vetëm për sa i përket periudhës që ka nisur më 5 maj 1998, datë e hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Rusisë. Pas kësaj date nuk mbetej më asnjë pasiguri për sa i përkiste fatit të robërve të luftës polakë. Megjithëse nuk ishin gjetur të gjithë trupat, vdekja e të interesuarve është pranuar botërisht nga autoritetet sovjetike e pastaj nga autoritetet ruse dhe është kthyer në një fakt të vërtetuar historik. Prandaj duhet të thuhet si përfundim se ajo çka mund të kishte qenë fillimisht një çështje “zhdukjesh” duhet të paraqitet si një çështje “vdekjesh të konfirmuara”. Në çështjen në fjalë nuk ekziston asnjë nga rrethanat e posaçme me natyrë si ajo që e kishte shtyrë Gjykatën të konstatonte një shkelje më vete të nenit 3 në çështjet e “vdekjeve të konfirmuara” (për shembull, duke qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i vuajtjeve të viktimës): vuajtja e paditësve nuk mund të paraqitet sikur ka marrë një përmasë e një karakter të dallueshëm nga ajo tronditje që mund të konsiderohet si e pashmangshme për të afërmit e viktimave të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.
Përfundimi: jo shkelje (dymbëdhjetë vota në favor dhe pesë kundër).
Neni 38 : Qeveria, në kundërshtim me atë çka i kishte kërkuar asaj Gjykata, nuk i ka dhënë kësaj të fundit një kopje të vendimit të shtatorit 2004 për arkivimin e hetimit rreth masakrës së Katinit, me arsyetimin se ky vendim ishte klasifikuar ligjërisht si tepër sekret nga autoritetet e brendshme dhe se Qeverisë i ndalohej t’u jepte materiale të klasifikuara organizatave ndërkombëtare në mungesë të një garancie për sa i përket konfidencialitetit të tyre.
Gjykata rikujton se, edhe kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare, parimi i ligjshmërisë dhe shteti i së drejtës në një shoqëri demokratike kërkojnë që çdolloj mase e cila prek të drejtat themelore të individit të mund t’i nënshtrohet një trajte procedure me ballafaqim përpara një organi të pavarur e kompetent për të shqyrtuar arsyet e vendimit në fjalë dhe elementet e provës lidhur me çështjen, sepse përndryshe autoritetet e shtetit do të mund t’i cenonin në mënyrë arbitrare të drejtat e mbrojtura nga Konventa.
Në çështjen në fjalë, juridiksionet kombëtare nuk ia kanë nënshtruar asnjë kontrolli real tezën e ekzekutivit sipas së cilës elementet e përmbajtura në vendimin për arkivim të hetimit duhej të mbeteshin sekrete më shumë se shtatëdhjetë vjet pas fakteve. Ato e kanë kufizuar fushën e hetimit të tyre duke kërkuar vetëm që të përcaktonin nëse vendimi për klasifikim ishte marrë në kuadër të atributeve administrative të autoriteteve kompetente, pa e pasur shqyrtuar vetë nëse ishte i bazuar në fakt në mënyrë të arsyeshme konkluzioni se shklasifikimi përbënte një rrezik për sigurinë kombëtare. Ato nuk e kanë analizuar në themel argumentin e nxjerrë nga fakti se, duke i dhënë fund një hetimi rreth njërës prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut të kryer me urdhër të instancave më të larta, ky vendim, në bazë të së drejtës së brendshme, nuk mund të klasifikohej në të vërtetë. Ato nuk kanë vënë në balancë gjithashtu, në njërën anë, nevojën e pretenduar për të mbrojtur informacionet dhe, në anën tjetër, interesin e publikut për të parë të ndiqet një hetim transparent rreth krimeve të regjimit të kaluar totalitar si edhe interesin privat të paditësve, të cilët donin të dinin rrethanat e vdekjes së pjesëtarëve të familjeve të tyre. Duke pasur parasysh këtë rreze të kufizuar veprimi të kontrollit të ushtruar nga gjyqtari rus mbi vendimin për klasifikim, Gjykata nuk mund ta pranojë që paraqitja e një kopjeje të vendimit për arkivim të vitit 2004 do të mund ta dëmtonte sigurinë kombëtare të Rusisë.
Gjykata shton se nevojat e domosdoshme e të drejta të sigurisë mund të plotësohen në një procedurë pranë saj me anë rregullimesh të përshtatshme procedurale, për shembull me një qasje të kufizuar në dokumentin në fjalë në bazë të nenit 33 të Rregullores së Gjykatës dhe, në shkallë të fundit, me mbajtjen e një seance me dyer të mbyllura. Mirëpo Qeveria nuk e ka kërkuar zbatimin e masave të tilla.
Përfundimi: mospërmbushje e detyrimit për të vepruar në përputhje me nenin 38 (njëzëri).
Neni 41 : kërkesat e formuluara për dëm rrëzohen, meqenëse mosrespektimi i nenit 38 të Konventës është një pikë procedure që nuk kërkon të jepet asnjë shumë si shpërblim i drejtë.
(Shih Šilih k. Sllovenisë [DhM], 71463/01, 9 prill 2009, Shënimi informativ 118)
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy