J.K. DHE TË TJERË kundër SUEDISË
(kërkesë nr. 59166/12)
23 gusht 2016
Dhomë e Madhe
dëbimi në Irak i ekspozon kërkuesit ndaj një rreziku real keqtrajtimi
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesit, z. J.K., gruaja dhe djali i tij, janë shtetas irakianë të cilët kanë lindur në vitet 1964, 1965 dhe 2000 respektivisht. Që prej viteve 1990 z. J.K. drejtonte biznesin e tij të ndërtimit dhe transportit me klientë ekskluzivisht amerikanë. Zyra e tij ndodhej në bazën ushtarake të Shteteve të Bashkuara "Victoria Camp" në Bagdad, Irak.
2. Kërkuesit kishin qenë subjekt i kërcënimeve serioze dhe dhunës nga al-Kaeda në periudhën midis viteve 2004 dhe 2008. Në veçanti, në vitin 2004, ndaj kërkuesit të parë pati një tentativë për vrasje. Në vitin 2005, vëllai i tij u rrëmbye nga anëtarët e al-Kaidës, të cilët kërcënonin se do ta vrisnin për shkak të bashkëpunimit të kërkuesit të parë me amerikanët. Vëllai i tij u lirua përmes ryshfetit dhe kërkuesit u larguan menjëherë nga Iraku. Kërkuesit u vendosën në Jordani ku qëndruan deri në dhjetor 2006, përpara se të ktheheshin në Irak. Menjëherë pas kthimit të tyre, shtëpia e tyre ishte objektivi i një sulmi me bombë. Forcat amerikane arrestuan agresorin, i cili pranoi se ishte paguar nga al-Kaeda për të vrarë z. J.K dhe gjithashtu deklaroi emrat e gjashtëmbëdhjetë njerëzve të cilët ishin caktuar për të vrojtuar kërkuesit. Më pas, kërkuesit u shpërngulën në Siri. Al-Kaeda shkatërroi shtëpinë e tyre në Irak, si dhe rezervat e biznesit të z. J.K.
3. Në janar 2008 kërkuesit u kthyen përsëri në Bagdad. Në tetor 2008 z. J.K. dhe vajza e tij u sulmua me armë zjarri ndërkohë që udhëtonin me makinë. Në atë atentat vajza e tij mbeti e vrarë. Pas kësaj z. J.K e la punën dhe së bashku me familjen lëvizën nëpër vende të ndryshme në Bagdad. Rezervat e biznesit të J.K. u sulmuan katër ose pesë herë nga anëtarët e al-Kaidës, të cilët kishin kërcënuar rojet.
4. Në dhjetor 2010 z. J.K. aplikoi për azil dhe leje qëndrimi në Suedi. Në gusht të 2011 ai paraqiti një kërkesë tjetër dhe po ashtu gruaja dhe djali i tij në shtator 2011. Më 22 nëntor 2011 Agjencia e Migracionit refuzoi kërkesën e tyre për leje qëndrimi dhe urdhëroi dëbimin e tyre nga Suedia. Kërkuesit u ankuan në Gjykatën e Migracionit, e cila në prill të vitit 2012 la në fuqi vendimin e Agjencisë së Migracionit, me arsyetimin se ngjarjet e pretenduara nga kërkuesi kishin ndodhur në të kaluarën e largët dhe se z. J.K. nuk bënte më punën për shkak të së cilës Al-Kaeda e kishte kërcënuar e dhunuar. Gjithashtu, Gjykata e Migracionit vërejti se edhe nëse do kishte kërcënime të tjera, autoritetet irakiane të zbatimit të ligjit dukeshin se ishin të gatshme dhe në gjendje t’u ofronin kërkuesve mbrojtjen e nevojshme. Kërkuesit më pas u ankuan në Gjykatën e Apelit të Migracionit, por ankesa e tyre u refuzua në gusht 2012. Më 29 gusht 2012, kërkuesit paraqitën një kërkesë në Agjencinë e Migracionit për rishqyrtim të çështjes së tyre, e cila u refuzua 26 shtator 2012.
5. Kërkesa u parashtrua në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut më 13 shtator 2012. Më 18 shtator 2012, Presidenti i Seksionit të Tretë vendosi të zbatonte nenin 39 të Rregullores së Gjykatës, duke i kërkuar shtetit suedez mos dëbimin e kërkuesve ndërkohë që çështja e tyre ishte në shqyrtim nga kjo Gjykatë. Më 4 qershor 2015, një Dhomë e Gjykatës konstatoi se zbatimi i urdhrit për dëbim nuk përbënte shkelje të nenit 3. Me kërkesë të kërkuesve, çështja iu referua Dhomës së Madhe sipas nenit 43 te KEDNJ-së. Kërkuesit pretenduan se nëse ktheheshin në Irak ishin nën një rrezik real të keqtrajtimit, në shkelje të nenit 3.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 3
6. Gjykata vërejti se, për shkak se kërkuesit ende nuk ishin ekstraduar apo deportuar në kohën që shqyrtohej çështja e tyre, periudha e kohës për të cilën do të bëhej vlerësimi i rrezikut ishte ajo para procedurave para kësaj Gjykate. Gjatë shqyrtimi të pretendimeve të kërkuesve sipas nenin 3, Gjykata iu referua raporteve nga departamentet qeveritare të vendeve të ndryshme dhe nga shoqata të pavarura ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo pranoi që, edhe pse situata e sigurisë në Bagdad ishte përkeqësuar që prej vlerësimit të bërë nga Agjencia e Migracionit dhe Gjykata e Migracionit, intensiteti i dhunës nuk kishte arritur në nivelin që do të përbënte një rrezik real të trajtimit në kundërshtim me nenin 3. Megjithatë, Gjykata konstatoi se rrethanat personale të këkuesve të marrë së bashku me reduktimin e kapaciteteve të autoriteteve autoriteteve irakiane për t’i mbrojtur ata, krijonte një rrezik real të keqtrajtimit në rast të kthimit të tyre në Irak.
7. Sa i përket rrethanave personale të kërkuesve, Gjykata konstatoi në veçanti se ata dhanë një dëshmi koherente dhe të besueshme të ngjarjeve, e cila ishte në përputhje me informacionet e marra nga burime të besueshme dhe objektive rreth gjendjes së përgjithshme në Irak por edhe kishte element të cilët e bënin historinë e tyre te dallueshme nga rreziqet e përgjithshme në vend. Në veçanti, z. J.K. i përkiste një grupi personash që kishin pasur dhe vazhdonin të kishin marrëdhënie me forcat e armatosura amerikane dhe në të vërtetë kërkuesit, në të kaluarën, ishin keqtrajtuar nga Al Kaeda. Gjykata pranoi që konsideratat e mësipërme ishin një tregues i fortë se kërkuesit vazhdonin të ishin nën rrezikun e keqtrajtimit në rast kthimi në Irak. Edhe pse ishte detyrim i autoriteve suedeze të përjashtonin çdo dyshim për një rrezik të tillë të mundshëm, ata kishin dështuar ta bënin këtë në rastin në fjalë.
8. Sa i përket aftësisë së autoriteteve irakiane për të mbrojtur kërkuesit, Gjykata, duke marrë parasysh informacionet nga burime të besueshme dhe objektive, konstatoi se pavarësisht mungesës në rritje që prej vitit 2010 të kapaciteve dhe integritetit të forcave të sigurisë dhe sistemit ligjor të Irakut, niveli i mbrojtjes i ofruar nga autoritetet irakiane mund të konsiderohej i mjaftueshëm për publikun e gjerë në Irak. Megjithatë, ajo nuk ishte e bindur nëse autoritetet irakiane do të ishin në gjendje t’u siguronin mbrojtje efektive personave që i përkisnin një grupi të targetuar nga forcat terroriste, siç ishin kërkuesit.
9. Duke pasur parasysh faktorët e lartpërmendur, të marrë në mënyrë kumulative, Gjykata vendosi se ishin parashtruar dëshmi substanciale për të besuar se kërkuesit rrezikonin realisht të trajtoheshin në kundërshtim me nenin 3 nëse do të ktheheshin në Irak. Kështu, dëbimi i tyre në Irak do të cenonte nenin 3 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 41
10. Gjykata hodhi poshtë kërkesën për kompensimin e dëmit material, me arsyetimin se nuk ishte vërtetuar një dëm i tillë. Gjithashtu, ajo refuzoi edhe pretendimin e kërkuesve për dëmin jomaterial, duke argumentuar se konstatimi i shkeljes së nenit 3 përbënte në vetvete shpërblim të drejtë. Gjykata u njohu kërkuesve të drejtën për të marrë 10,000 euro për kostot dhe shpenzimet.
Full & Egal Universal Law Academy