© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA E JONES DHE TË TJERË kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesat nr. 34356/06 dhe nr. 40528/06)
VENDIM
STRASBURG
14 janar 2014
PËRFUNDIMTAR
02/06/2014
Ky vendim ka marrë formë të prerë sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen Jones dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), me Dhomën e përbërë nga:
Ineta Ziemele, Kryetare,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Ledi Bianku,
Zdravka Kalaydjieva,
Vincent A. De Gaetano,
Paul Mahoney, gjyqtarë,
dhe Françoise Elens-Passos, Zëvendëskancelare,
Pas konsultimeve me dyer të mbyllura më 19 dhjetor 2013,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua më atë datë:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me dy kërkesa (nr. 34356/06 dhe nr. 40528/06) kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore të depozituara në Gjykatë në pajtim me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”). Në kërkesën e parë, kërkuesi është Z. Ronald Grant Jones, shtetas i Britanisë, i lindur në vitin 1953. Kërkesa e tij u depozitua më 26 korrik 2006. Në të dytën, kërkuesit janë Z. Alexander Hutton Johnston Mitchell, Z. William James Sampson dhe Z. Leslie Walker. Edhe ata janë shtetas të Britanisë të lindur respektivisht në vitet 1955, 1959 dhe 1946. Z. Sampson ka gjithashtu shtetësi kanadeze. Kërkesa e tyre u depozitua më 22 shtator 2006.
2. Z. Jones përfaqësohej nga Z. G. Cukier, avokat që praktikon profesionin në Londër me zyrën Kingsley Napley LLP. Z. Mitchell, Z. Sampson dhe Z. Walker, të cilëve i ishte ofruar ndihmë ligjore, përfaqësoheshin nga Znj. T. Allen, avokate që praktikon profesionin në Londër me zyrën Bindmans LLP. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (“Qeveria”) përfaqësohej nga Agjenti i saj, Z. J. Grainger, nga Zyra për Punë të Jashtme dhe Commonwealth.
3. Kërkuesit pretenduan, në mënyrë të veçantë, që dhënia e imunitetit në procedura civile Mbretërisë së Arabisë Saudite në çështjen e Z. Jones dhe të pandehurve individualë në të dyja rastet përbënte ndërhyrje jo proporcionale në të drejtën e tyre për t’iu drejtuar gjykatës sipas nenit 6 të Konventës.
4. Më 15 shtator 2009 kërkesat iu komunikuan Qeverisë. Gjithashtu, u vendos që të merrej vendim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e kërkesave njëkohësisht (neni 29 § 1).
5. Organizatave Redress Trust (“REDRESS”), Amnesty International, Qendra Ndërkombëtare për Mbrojtjen Ligjore të të Drejtave të Njeriut (“INTERIGHTS”) dhe JUSTICE (“ndërhyrësit e palëve të treta”) iu dha leje nga Kryetarja e Dhomës që të ndërhynin në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 2 i Rregullores). Ata paraqitën komente të përbashkëta me shkrim.
6. Kërkuesit kërkuan një seancë verbale por më 29 nëntor 2011 Dhoma vendosi të mos mbante seancë në këtë çështje.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Pretendimet për tortura dhe procedurat e ngritura nga Z. Jones
7. Më 15 mars 2001, gjatë kohës që jetonte dhe punonte në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Z. Jones u lëndua lehtë pas shpërthimit të një bombe afër një librarie në Riad. Ai pretendon se ditën e nesërme ai u mor nga spitali prej agjentëve të Arabisë Saudite dhe u mbajt në mënyrë të paligjshme për 67 ditë. Gjatë asaj kohe ai u torturua nga Nënkoloneli Abdul Aziz. Në mënyrë të veçantë, ai pretendon se është rrahur me shkop në pëllëmbët e duarve, në shputat e këmbëve, në krahë dhe në pjesën e epërme të këmbëve; është goditur me shuplaka dhe është grushtuar në fytyrë; ka qëndruar i varur nga krahët për periudha të gjata kohore; me pranga në nyjet e këmbëve; duke iu nënshtruar privimit nga gjumi dhe duke iu dhënë droga që ndikojnë në gjendjen mendore.
8. Z. Jones u kthye në Mbretërinë e Bashkuar ku një ekzaminim mjekësor gjeti që ai kishte lëndime që përputheshin me tregimet e tij dhe ku ai u diagnostifikua me çrregullime të rënda të stresit si pasojë e traumave.
9. Më 27 maj 2002 Z. Jones filloi procedura në Gjykatën e Lartë kundër “Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Arabisë Saudite” dhe Nënkolonelit Abdul Aziz, duke pretenduar dëmshpërblim inter alia për tortura. Në hollësitë e pretendimeve të tij ai iu referua Nënkolonelit Abdul Aziz si shërbyes apo agjent i Arabisë Saudite. Pretendimet u dërguan në Arabinë Saudite me anë të avokatëve të saj të atëhershëm, por avokatët e bënë të qartë se ata nuk kishin autoritet për të marrë në pranim pretendimet e ngritura kundër Nënkolonelit Abdul Aziz.
10. Më 12 shkurt 2003 Arabia Saudite paraqiti kërkesë që pretendimi të rrëzohej mbi bazën e faktit që ajo, dhe shërbyesit e agjentët e saj, kishin të drejtë të kishin imunitet dhe që gjykatat angleze nuk kishin juridiksion. Z. Jones paraqiti kërkesë për t’ia dorëzuar pretendimin Nënkolonelit Abdul Aziz përmes një mënyre tjetër. Në vendimin e tij të 30 korrikut 2003, një Gjyqtar i Procedurës Paraprake pranë Gjykatës së Lartë deklaroi që Arabia Saudite kishte të drejtë të kishte imunitet sipas seksionit 1(1) të Ligjit për Imunitetin e Shtetit të vitit 1978 (“Ligji i vitit 1978”: shih paragrafin 39 poshtë). Ai gjithashtu deklaroi që Nënkoloneli Abdul Aziz po ashtu kishte të drejtë të kishte imunitet sipas atij Ligji dhe refuzoi leje për t’ia dorëzuar pretendimin me mënyra të tjera. Z. Jones bëri apel pranë Gjykatës së Apelit.
B. Pretendimet për tortura dhe procedurat e ngritura nga Z. Mitchell, Z. Sampson dhe Z. Walker
11. Z. Mitchell dhe Z. Sampson u arrestuan në Riad në dhjetor 2000; Z. Walker u arrestua atje në shkurt 2001. Të tre kërkuesit pretenduan që, gjatë kohës që ndodheshin në burg, ata iu nënshtruan torturave sistematike dhe të vazhdueshme, përfshirë të rrahurat në shputat e këmbëve, në krahë, në pjesën e epërme të këmbëve dhe në kokë, si dhe privimi nga gjumi. Z. Sampson pretendoi që ai ishte përdhunuar në mënyrë anale. Kërkuesit u liruan dhe u kthyen në Mbretërinë e Bashkuar më 8 gusht 2003. Secili prej tyre mori raporte mjekësore të cilat arrinin në përfundimin që lëndimet e tyre përputheshin me rrëfimet e tyre.
12. Kërkuesit vendosën të fillonin procedurat në Gjykatën e Lartë kundër katër individëve që ata konsideronin se ishin përgjegjës: dy policë, zv/guvernatori i burgut ku ishin mbajtur, dhe Ministri i Brendshëm i cili pretendohej të kishte miratuar torturimin. Kështu, ata kërkuan leje për të dorëzuar pretendimin e tyre tek katër individët jashtë juridiksionit. Më 18 shkurt 2004 kjo u refuzua nga i njëjti Gjyqtar i Procedurës Paraprake i cili kishte dëgjuar pretendimin e Z. Jones, mbi bazën e vendimit të tij të mëparshëm në lidhje me Z. Jones. Por Gjyqtari i Procedurës Paraprake njohu faktin se ai kishte pasur përfitimin e të dëgjuarit të argumenteve më të plota në krahasim me kërkesat lidhur me pretendimin e Z. Jones, dhe tha:
“... [S]ikur çështja të kishte ardhur para meje në formën e një kërkese të veçuar, para se ta vendosja çështjen Jones ...., mund të isha tunduar për të dhënë leje për dorëzimin e pretendimit jashtë juridiksionit për shkak se më duket, pas dëgjimit të argumenteve, se është me vend që këta të pandehur të japin llogari për sa i përket faktit nëse këto gjykata kanë juridiksion mbi ta.”
13. Kërkuesit bënë ankesë pranë Gjykatës së Apelit me leje të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake.
C. Vendimi i Gjykatës së Apelit
14. Dy çështjet u bashkuan dhe më 28 tetor 2004 Gjykata e Apelit publikoi vendimin e saj. Aty njëzëri u rrëzua apeli i Z. Jones nga vendimi i Gjyqtarit të Procedurës Paraprake për të refuzuar lejen për dorëzimin e padisë Arabisë Saudite jashtë juridiksionit. Megjithatë, ai i lejoi apelet për sa i përkiste refuzimit të lejes në secilin rast për t’u dorëzuar paditë të pandehurve individualë.
15. Për sa i përket imunitetit të Arabisë Saudite, Lord Justice Mance, me të cili Lordi Phillips dhe Lord Justice Neuberger qenë dakord, refuzuan të dilnin nga ky vendim i Gjykatës në Al-Adsani kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 35763/97, ECHR 2001‑XI. Më tej ai shtoi se neni 14(1) i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës (shih paragrafin 63 poshtë), i cili detyron një Shtet Kontraktues të garantojë që viktima e një akti të torturës të marrë zgjidhje, nuk mund të interpretohej si i tillë që impononte detyrimin mbi një Shtet për të ofruar zgjidhje për akte të torturës kur ato akte ishin kryer nga një Shtet tjetër në atë Shtet tjetër.
16. Për sa i përket imunitetit të të pandehurve individualë, Lord Justice Mance mori parasysh praktikën gjyqësore të gjykatave vendase dhe gjykatave të juridiksioneve të tjera, të cilat e njihnin imunitetin e Shtetit rationae materiae në lidhje me veprimet e agjentëve të Shtetit. Megjithatë, ai shënoi që asnjëra prej atyre çështjeve nuk kishte të bënte me sjellje që duheshin parë si jashtë fushëveprimit të çdo ushtrimi të duhur të autoritetit sovran apo me krim ndërkombëtar, e jo më me tortura sistematike. Ai nuk pranoi që përkufizimi i torturës në nenin 1 të Konventës kundër Torturës si akt “nga një person zyrtar ose nga një person i tretë që vepron sipas detyrës zyrtare ose me nxitjen a pëlqimin e tij” (shih paragrafin 59 poshtë) ka qenë fatal për pretendimet e kërkuesve:
“71. ... Duket e dyshimtë që fraza ‘që vepron sipas detyrës zyrtare’ cilëson referencën ndaj ‘zyrtarit publik’. Llojet e qëllimeve për të cilat duhet të shkaktohet çfarëdo dhimbje apo vuajtje ... do të dukej se përfaqësojnë një kufizim të mjaftueshëm në rastin e një zyrtari publik. Sido që të jetë, kriteri që dhimbja apo vuajtja të jetë shkaktuar nga një zyrtar publik sipas mendimit tim nuk bën asgjë tjetër përveç se identifikon autorin dhe kontekstin publik në të cilin autori duhet të jetë duke vepruar. Ai nuk i jep natyrë ose karakter zyrtar apo qeveritar vetë akteve të torturës, as nuk nënkupton që mund të shihet si funksion zyrtar që duhet shkaktuar, as që një zyrtar duhet të shihet si i tillë që përfaqëson Shtetin në shkaktimin e një dhimbjeje apo vuajtjeje të tillë. Ende më tej, ai as nuk sugjeron fare që zyrtarit i cili shkakton dhimbje apo vuajtje të tilla mund t’i ofrohet mbulesa e imunitetit të Shtetit ... I tërë thelbi i Konventës kundër Torturës është theksimi i përgjegjësisë individuale të zyrtarëve të Shtetit për aktet e torturave ...”
17. Lord Justice Mance nuk e konsideroi domethënës faktin që Nënkolonel Abdul Aziz përshkruhej në pretendimin e Z. Jones di “shërbyes ose agjent” i Arabisë Saudite. Po kështu, ai nuk pranoi që dallimet e përgjithshme mes së drejtës penale dhe asaj civile justifikonin dallimin në zbatimin e imunitetit në dy kontekstet. Ai shënoi që Dhoma e Lordëve në çështjen Pinochet (Nr. 3) (shih paragrafët 44-56 poshtë) kishte konsideruar që nuk do të kishte imunitet nga ndjekja penale për sa i përket një zyrtari individual që kishte kryer tortura jashtë vendit në kontekst zyrtar. Nuk ishte e lehtë të kuptohej përse procedurat civile kundër një torturuesi të pretenduar mund të thuhej se përfshinin një ndërhyrje më të madhe në punët e brendshme të një Shteti të huaj sesa procedurat penale kundër të njëjtit person. Gjithashtu ishte e papajtueshme që nëse një torturues i pretenduar hynte brenda juridiksionit të Shtetit forum, ai do të ndiqej në përputhje me nenin 5(2) të Konventës kundër Torturës (shih paragrafin 62 poshtë) dhe nuk mund të pretendohej imunitet, por viktima e torturës së pretenduar nuk do të kishte mundësi të niste procedura civile. Më tej, nuk kishte bazë për të supozuar që, në procedura civile, një Shtet mund të bëhej përgjegjës për zhdëmtimin apo mbështetjen e një prej zyrtarëve të vet për të cilin vërtetohej se kishte kryer tortura sistematike.
18. Lord Justice Mance konsideroi që fakti nëse një pretendim në gjykatat angleze kundër individëve mund të procedonte përcaktohej më mirë jo duke iu referuar imunitetit por duke iu referuar faktit nëse ishte me vend që gjykatat angleze të ushtronin juridiksion. Kishte disa faktorë relevantë për vlerësimin e kësaj çështjeje, përfshirë ndjeshmërinë e çështjeve në fjalë dhe pushtetin e përgjithshëm të gjykatave angleze për të refuzuar juridiksionin mbi bazën e faktit që Anglia ishte forum i papërshtatshëm për mosmarrëveshjen në fjalë.
19. Duke shqyrtuar ndikimin e nenit 6, Lord Justice Mance gjeti dallime të rëndësishme mes pretendimit të një Shteti për imunitet rationae personae, pika e diskutimit në çështjen Al-Adsani, dhe pretendimit të një Shteti për imunitet rationae materiae në lidhje me zyrtarët e vet, pika e diskutimit në çështjet në fjalë. Së pari, ai e konsideroi të pamundur të identifikohej ndonjë parim i vendosur ndërkombëtar që i jepte Shtetit të drejtën për të pretenduar imunitet në lidhje me pretendimet e drejtuara kundër një zyrtari, në vend se kundër Shtetit ose kryetarit apo diplomatëve të tij. Ai ishte i mendimit që legjislacioni dhe praktika gjyqësore e Shteteve të Bashkuara (shih paragrafët 112-125 poshtë) luftonin fuqimisht kundër çdo parimi të tillë të vendosur dhe mbështesnin pikëpamjen e kundërt. Për aq sa avokati i Qeverisë synoi t’i referohej të dhënave lidhur me praktikën e vendosur, Lord Justice Mance vërejti që praktika gjyqësore të cilës ai i referohej kishte të bënte ose me imunitetin e vetë Shtetit ose me imunitetin e zyrtarëve individualë për sjellje të pahijshme të pretenduar që nuk kishte lidhje fare me natyrën apo peshën e krimit ndërkombëtar të torturës sistematike. Ai mori në konsideratë pohimet në mendimin e ndarë të Gjyqtarëve Higgins, Kooijmans dhe Buergenthal ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjen e Urdhër-Arrestit (shih paragrafët 84-85 poshtë) për të ofruar konfirmim të mëtejshëm që nuk ekzistonte një praktikë e vendosur ndërkombëtare në këtë fushë.
20. Lord Justice Mance shpjegoi që aty ku, sipas nenit 14 të Konventës kundër Torturës, një Shtet kishte krijuar një zgjidhje vendase për torturat në Shtetin ku ishte kryer ajo torturë, nga gjykata të tjera kombëtare mund të pritej që të refuzonin të ushtronin juridiksion. Por, aty ku nuk kishte zgjidhje të duhur në Shtetin ku ndodhnin tortura sistematike, mund të shihej si refuzim i plotë i adresimit në gjykatat civile të një juridiksioni tjetër. Ai njohu faktin që gjykatat e një Shteti nuk duhet të gjykonin sipërfaqësisht çështjet e brendshme të një Shteti tjetër, por konsideroi që kishte shumë rrethana, posaçërisht në kontekst të të drejtave të njeriut, në të cilat gjykatat kombëtare nuk ishin të detyruara të shqyrtonin dhe të formonin pikëpamje rreth qëndrimit, ose qasjes së, Shteteve të huaja.
21. Lord Justice Mance arriti në përfundimin që dhënia e efektit të plotë pretendimit të një Shteti të huaj ndaj imunitetit të Shtetit rationae materiae në lidhje me një zyrtar të Shtetit që akuzohej të kishte kryer akte torturash sistematike mund të privonte nga e drejta për të pasur qasje në gjykatë sipas nenit 6 domethënien e vërtetë në një çështje ku viktima e torturës nuk kishte mundësi adresimi në Shtetin zyrtarët e të cilit i kishin kryer torturat. Prandaj, ai i lejoi apelet e kërkuesve në lidhje me të pandehurit individualë dhe i ridërgoi ato për argumentim të mëtejshëm, duke përfunduar:
“96. ... [M]ua më duket që pikëpamja absolute e imunitetit duhet të paktën t’i lëshojë vend para pohimeve të torturave sistematike një qasjeje më të rafinuar apo më proporcionale. Kështu si qëndrojnë punët, duke pasur parasysh [Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut], mjafton të vendoset në lidhje me këtë apel që, pavarësisht nëse çështjet e imunitetit të Shtetit trajtohen apo jo si teorikisht të ndara nga çështjet e juridiksionit në të drejtën angleze, lejueshmëria, përshtatshmëria dhe proporcionaliteti i ushtrimit të juridiksionit duhet të përcaktohen në të njëjtën kohë. Një përfundim i tillë pasqyron rëndësinë që i jepet në botën e sotme, edhe sipas mendimit dhe jurisprudencës së tanishme ndërkombëtare, njohjes dhe zbatimit efektiv të të drejtave individuale të njeriut. Kjo përputhet në mënyrë harmonike me qëndrimin tashmë të arritur në lidhje me procedurat penale. Ajo përkujdeset për detyrimin tonë ndaj nenit 6 të [Konventës] për të mos mohuar të drejtuarit në gjykatat tona, në rrethana në të cilat do të ishte me vend të ushtrohej juridiksioni duke zbatuar parime juridiksionale vendase, vetëm nëse të vepruarit në këtë mënyrë do të kishte një qëllim legjitim dhe proporcional.”
22. Në mendimin e tij paralel Lordi Phillips qe dakord me përfundimet e Lord Justice Mance për sa u përkiste pretendimeve kundër Arabisë Saudite dhe pretendimeve kundër zyrtarëve individualë. Në mënyrë të posaçme, ai konsideroi që vendimi në çështjet Pinochet (nr. 3) (shih paragrafët 44-56 poshtë) kishte treguar se tortura nuk hynte më brenda fushëveprimit të detyrave zyrtare të një zyrtari Shteti. Prandaj, rrjedhimisht nëse kundër individëve të caktuar ngriheshin procedura për akte torturash në rrethana në të cilat Shteti ishte imun ndaj padive, nuk mund të sugjerohej që Shteti do të ishte tërthorazi përgjegjës: bëhej fjalë për përgjegjësinë personale të individëve, jo të Shtetit.
23. Në lidhje me qasjen e kësaj Gjykate, ai komentoi:
“134. Nëse Dhoma e Madhe do të kishte qenë duke shqyrtuar një pretendim për imunitet të Shtetit në lidhje me pretendimet e ngritura kundër individëve, nuk besoj se shumica do të kishin qenë në favor të pikëpamjes që kjo përfaqësonte një kufizim legjitim të së drejtës për t’u drejtuar në gjykatë sipas nenit 6(1). Nëse Gjykata do të kishte pasur të njëjtat përfundime me ato që arritëm ne në lidhje me këtë apel, ajo do të ishte shprehur që nuk ekziston një rregull i njohur në të drejtën ndërkombëtare publike që e lejonte një imunitet të tillë. Nëse ajo do të kishte dalë me përfundimin që një rregullë e tillë ekzistonte, unë konsideroj se do të kishte pasur të ngjarë të thuhej se nuk do të ishte proporcionale të zbatohej rregulla sa për të përjashtuar zgjidhjet civile të kërkuara kundër individëve.”
D. Vendimi i Dhomës së Lordëve
24. Arabia Saudite apeloi pranë Dhomës së Lordëve kundër vendimit të Gjykatës së Apelit në lidhje me të pandehurit individualë dhe Z. Jones apeloi kundër vendimit të Gjykatës së Apelit në lidhje me pretendimin e tij kundër vetë Arabisë Saudite. Më 14 qershor 2006, Dhoma e Lordëve njëzëri e lejoi apelin e Arabisë Saudite dhe rrëzoi apelin e Z. Jones.
25. Lordi Bingham konsideroi që ekzistonte një “masë e madhe autoriteti” në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vende të tjera që tregonte se një Shtet kishte të drejtë të pretendonte imunitet për shërbyesit apo agjentët e tij dhe që e drejta e Shtetit për imunitet nuk mund të anashkalohej duke ngritur padi. Në disa çështje të ndërmjetme nuk mund të kishte dyshim nëse sjellja e një individi, pavarësisht nëse ishte shërbyes apo agjent, kishte lidhje të mjaftueshme me një Shtet për t’i dhënë atij të drejtën e imunitetit për sjelljen e tij. Por, sipas mendimit të tij, këto nuk ishin çështje të ndërmjetme. Nënkoloneli Abdul Aziz u padit si shërbyes apo agjent i Arabisë Saudite dhe nuk u sugjerua që sjellja e tij nuk ishte pjesë e kryerjes apo kryerjes së synuar të detyrave të tij. Të katër të pandehurit në çështjen e dytë ishin zyrtarë publike dhe sjellja e pretenduar ndodhi në ambiente publike gjatë procesit të marrjes në pyetje.
26. Më tej, duke iu referuar Draft-Neneve të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi Përgjegjësinë e Shteteve për Akte të Gabuara Ndërkombëtare (“Draft-Nenet mbi Përgjegjësinë e Shtetit”: shih paragrafët 107-109 poshtë), Lordi Bingham tha që “e drejta ndërkombëtare nuk kërkon, si kusht për të drejtën e një Shteti për të pretenduar imunitet për sjelljen e shërbyesit apo agjentit të tij, që ky i fundit do të duhej të kishte vepruar në përputhje me udhëzimet apo autoritetin.” Fakti që sjellja ishte e paligjshme apo e kundërshtueshme, në vetvete, nuk përbënte bazë për refuzimin e imunitetit.
27. Për të fituar pretendimin e tyre sipas Konventës, Lordi Bingham shpjegoi që kërkuesit duhet të konstatonin tre pohime. Së pari, ata duhet të tregonin që neni 6 i Konventës ishte i angazhuar nga dhënia e imunitetit; Lordi Bingham ishte i përgatitur të supozonte, mbi bazën e vendimit të kësaj Gjykate në çështjen Al-Adsani, cituar lart, që ashtu ishte. Së dyti, ata duhet të tregonin që dhënia e imunitetit u mohonte atyre të drejtuarit në gjykatë; Lordi Bingham ishte i bindur që ishte kështu. Së treti, kërkuesit duhet të tregonin që kufizimi nuk i drejtohej një synimi legjitim dhe ishte në shproporcion.
28. Lordi Bingham nuk qe dakord me parashtrimin e kërkuesve që tortura nuk mund të ishte akt qeveritar ose zyrtar meqenëse, sipas nenit 1 të Konventës kundër Torturës, tortura duhet të shkaktohej përmes ose me bashkëpunimin e heshtur të një zyrtari publik apo një personi tjetër që vepronte në cilësi zyrtare (shih paragrafin 59 poshtë). Megjithëse kërkuesit iu referuan një mase të konsiderueshme autoriteti ku tregohej se gjykatat e Shteteve të Bashkuara nuk do t’i njihnin aktet e kryera nga zyrtarë individualë si akte të kryera në cilësi zyrtare për qëllime imuniteti nëse ato akte ishin në kundërshtim me një ndalim jus cogens, Lordi Bingham e gjeti të panevojshme t’i shqyrtonte ato autoritete sepse ato ishin të rëndësishme vetëm deri në atë masë që shprehnin parime gjerësisht të dakorduara dhe të respektuara mes kombeve të tjera. Megjithatë, siç kishin deklaruar Gjyqtarët Higgins, Kooijmans dhe Buergenthal në mendimin e tyre paralel në çështjen e Urdhër-Arrestit, qasja “e njëanshme” e SHBA-ve nuk kishte tërhequr “miratimin e Shteteve në përgjithësi” (shih paragrafin 84 poshtë).
29. Në lidhje me mbështetjen e kërkuesve mbi rekomandimet e Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës të 7 korrikut 2005 në lidhje me Kanadanë, komentet e bëra në vendimin e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në çështjen Furundzija, dhe vendimin e Gjykatës italiane të Kasacionit në çështjen Ferrini kundër Gjermanisë (shih, respektivisht, paragrafët 66, 82 dhe 140 poshtë), Lordi Bingham konsideroi që i pari kishte autoritet ligjor të dobët, i dyti ishte obiter dictum dhe i treti nuk ishte deklarim i saktë i të drejtës ndërkombëtare.
30. Lordi Bingham identifikoi katër argumente të paraqitura nga Arabia Saudite të cilat ai tha se ishin “të parezistueshme marrë së bashku”. Së pari, duke pasur parasysh përfundimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjen e Urdhër-Arrestit, kërkuesit duhet të pranonin që imuniteti i Shtetit rationae personae mund të pretendohej për një ministër të jashtëm në detyrë të akuzuar për krime kundër njerëzimit. Nga kjo rridhte që ndalimi i torturës nuk i shkelte automatikisht të gjitha rregullat e tjera të së drejtës ndërkombëtare. Së dyti, neni 14 i Konventës kundër Torturës nuk ofronte juridiksion civil universal. Së treti, Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 2004 mbi Imunitetet Juridiksionale të Shteteve dhe Pasurive të tyre (“Konventa e OKB-së mbi Imunitetet Juridiksionale”: shih paragrafët 75-80 poshtë) nuk parashikonte ndonjë përjashtim nga imuniteti për pretendimet civile të bazuara mbi aktet e torturës; megjithëse një përjashtim i tillë u mor në konsideratë nga një grup punues i Komisionit Ndërkombëtar të Ligjeve, nuk u ra dakord në lidhje me të (shih paragrafin 79 poshtë). Në këtë aspekt Lordi Bingham vërejti që megjithëse disa komentues e kishin kritikuar Konventën e OKB-së për shkak se ajo nuk përfshinte një përjashtim në lidhje me torturën, ata sidoqoftë e pranuan që kjo pjesë e të drejtës ndërkombëtare ishte “në gjendje fluksi” dhe nuk sugjeruan që kishte konsensus ndërkombëtar në favor të një përjashtimi të tillë. Së fundi, nuk kishte prova që Shtetet të kishin njohur apo t’i kishin dhënë fuqi ndonjë detyrimi nga e drejta ndërkombëtare për të ushtruar juridiksion universal mbi pretendimet që dilnin nga shkeljet e supozuara të normave të prera të së drejtës ndërkombëtare, as nuk ka pasur konsensus lidhur me ndonjë mendim gjyqësor apo të ditur që duhet të jetë kështu. Për këto arsye, Lordi Bingham qe dakord me Gjykatën e Apelit që pretendimi i ngritur nga Z. Jones kundër Arabisë Saudite duhet të rrëzohej.
31. Në lidhje me të pandehurit individualisht, ai gjeti që përfundimi i Gjykatës së Apelit në lidhje me pretendimet për tortura nuk mund të vërtetohej. Ai konsideroi që Gjykata e Apelit ishte distancuar në mënyrë të pasaktë nga qëndrimi në vendimin e saj të mëparshëm në çështjen Propend që veprimet e zyrtarëve të Shtetit duhet të konsideroheshin si vendime të vetë Shtetit (shih paragrafët 42-43 poshtë). Ai shpjegoi:
“30. ... Nuk [k]ishte arsye parimore për këtë distancim. Një Shtet mund të veprojë vetëm nëpërmjet shërbyesve dhe agjentëve të tij; veprimet e tyre zyrtare janë veprimet e Shtetit; dhe imuniteti i shtetit për sa u përket atyre është themelor për parimin e imunitetit të Shtetit. Ky gabim ka pasur efektin që, ndërkohë që Mbretëria u konstatua të ishte imune, dhe Ministria e Brendshme, si departament i qeverisë, u konstatua të ishte imune, Ministri i Brendshëm (i pandehuri i katërt në veprimin e dytë) nuk ishte imun, çka përbën një anomali të habitshme.
32. Lordi Bingham shpjegoi që ky gabim i parë e kishte çuar gjykatën drejt një gabimi të dytë: përfundimin e saj që një pretendim civil kundër një torturuesi individual nuk e akuzon automatikisht Shtetin në ndonjë aspekt më të kundërshtueshëm sesa ndjekja penale. Ai vërejti:
“31. ... Një Shtet nuk është penalisht përgjegjës sipas të drejtës ndërkombëtare apo asaj angleze, dhe prandaj nuk mund të akuzohet drejtpërdrejt me anë të procedurave penale. Ndjekja penale e një shërbyesi apo agjenti për një akt të torturës brenda nenit 1 të Konventës kundër Torturës bazohet mbi një përjashtim tekstualisht të shprehur nga rregulla e përgjithshme e imunitetit. Megjithatë, është e qartë se pretendimet civile kundër torturuesve individualë bazuar mbi akte të torturës zyrtare nuk e akuzojnë drejtpërdrejt Shtetin meqenëse aktet e tyre i atribuohen atij. Nëse këto pretendime kundër të pandehurve individualë do të procedoheshin dhe të vërtetoheshin, interesat e Mbretërisë natyrisht që do të prekeshin, edhe pse ajo nuk është palë e emërtuar aty.”
33. Sipas mendimit të Lordit Bingham të dy gabimet rezultuan nga një lexim i gabuar i Pinochet (Nr. 3) (shih paragrafët 44-56 poshtë), i cili kishte të bënte vetëm me procedurat penale. Dallimi mes procedurave penale (të cilat i nënshtroheshin juridiksionit universal) dhe procedurave civile (të cilat nuk i nënshtroheshin të njëjtit), tha ai, ishte “themelor” dhe ishte i tillë që nuk mund të “zhdukej me anë të dëshirave”.
34. Së fundi, Lordi Bingham shënoi që Gjykata e Apelit kishte gjetur që juridiksioni duhet të qeveriset nga “përdorimi ose zhvillimi i duhur i parimeve të diskrecionit”. Ai konsideroi që kjo do të thoshte të kuptohej gabimisht natyra e imunitetit të Shtetit. Aty ku është i zbatueshëm, imuniteti i Shtetit përbënte një kufi paraprak absolut, dhe Shteti ose ishte ose nuk ishte imun ndaj juridiksionit të një gjykate të huaj, kështu që nuk kishte fushëveprim për ushtrimin e diskrecionit.
35. Lordi Hoffmann, me mendimin paralel në vendim, konsideroi që nuk kishte konflikt automatik mes ndalimit jus cogens të torturës dhe të drejtës mbi imunitetin e Shtetit: imuniteti i Shtetit ishte rregullë procedurale dhe Arabia Saudite, në pretendimin e imunitetit, nuk po justifikonte torturën por thjesht po kundërshtonte juridiksionin e gjykatave angleze për të vendosur nëse ajo kishte përdorur apo jo tortura. Ai citoi me miratim vëzhgimin e Hazel Fox QC (E Drejta në lidhje me Imunitetin e Shtetit (2004), fq. 525) që imuniteti i Shtetit nuk “ishte në kundërthënie me ndalimin e përmbajtur në normën jus cogens por thjesht i jepte drejtim tjetër çdo shkeljeje të saj drejt një metode tjetër të zgjidhjes”. Për Lordin Hoffmann, konflikti mund të lindte vetëm nëse ndalimi i torturës kishte gjeneruar një rregullë ndihmëse e cila, duke përjashtuar imunitetin e Shtetit, i jepte të drejtë një Shteti të merrte përsipër juridiksione civile mbi Shtetet e tjera. Si Lordi Bingham, ai gjeti që autoritetet e cituara nuk tregonin mbështetje për një rregullë të tillë në të drejtën ndërkombëtare.
36. Për sa i përket zbatimit të imunitetit të Shtetit tek të pandehurit individualë, Lordi Hoffmann u shpreh se, në mënyrë që të vendosej që dhënia e imunitetit një zyrtari do të shkelte të drejtën e të drejtuarit në gjykatë të garantuar me nenin 6 të Konventës, ishte e nevojshme, si në rastin e imunitetit të vetë Shtetit, që të tregohej se e drejta ndërkombëtare nuk kërkonte imunitet ndaj padive civile për zyrtarët e akuzuar për kryerje të torturës. Ai konsideroi, sërish, që ishte e pamundur të gjendej një përjashtim i tillë në ndonjë marrëveshje. Ai shqyrtoi deri diku me hollësi rrethanat në të cilat një Shtet do të ishte përgjegjës, sipas të drejtës ndërkombëtare, për aktin e një zyrtari dhe gjeti qartë se një Shtet do të mbante përgjegjësi sipas të drejtës ndërkombëtare nëse një zyrtar i tij “nën ombrellën e autoritetit të tij” do të torturonte një shtetas të një Shteti tjetër, edhe nëse aktet ishin të paligjshme dhe të paautorizuara. Ai tha:
“78. ... Të thuhet që për qëllime të imunitetit të Shtetit [zyrtari] nuk ka vepruar në cilësi zyrtare do të ishte asimetri mes rregullave të përgjegjësisë dhe imunitetit.
79. Më tej, në rastin e torturës, do të kishte një asimetri edhe më të habitshme mes Konventës kundër Torturës dhe rregullave të imunitetit nëse do të thuhej që i njëjti akt ishte zyrtar për qëllime të përkufizimit të torturës por jo për qëllime të imunitetit ...”
37. Lordi Hoffmann e gjeti jo bindës përfundimin e Gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Mance që përkufizimi i torturës në Konventën kundër Torturës nuk u jepte akteve të torturës karakter zyrtar, duke shpjeguar:
“83. ... Aktet e torturës janë ose akte zyrtare ose nuk janë të tilla. Konventa kundër Torturës nuk u ‘jep’ atyre karakter zyrtar; ata paraprakisht duhet të jenë zyrtare për të hyrë në kuadër të Konventës. Dhe nëse janë aq zyrtare sa të hyjnë në kuadër të Konventës, nuk shoh arsye përse të mos jenë aq zyrtare sa të tërheqin imunitetin.”
38. Ai gjithashtu e konsideroi të papërshtatshme qasjen e propozuar të Gjykatës së Apelit për ushtrimin e juridiksionit, për arsye se imuniteti i Shtetit nuk ishte kufizim i vetimponuar por ishte “i imponuar nga e drejta ndërkombëtare pa asnjë diskriminim mes një Shteti dhe një tjetri”. Ai përfundoi duke thënë se do të ishte “jashtëzakonisht e papëlqyeshme për degën e gjyqësorit të qeverisë që të kishte pushtetin të vendoste për lejimin e hetimeve rreth pretendimeve për tortura kundër zyrtarëve të një Shteti të huaj por jo ato të zyrtarëve të një Shteti tjetër.”
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDASE
A. Ligji mbi Imunitetin e Shtetit i vitit 1978
39. Pjesa I e Ligjit të vitit 1978 ka të bëjë me shkallën e imunitetit të Shtetit në procedura civile. Seksioni 1 parashikon:
“1(1) Një Shtet është imun nga juridiksioni i gjykatave të Mbretërisë së Bashkuar përveç rasteve të parashikuara në dispozitat vijuese të kësaj Pjese të Ligjit.
(2) Një gjykatë i jep fuqi imunitetit të dhënë nga ky seksion edhe nëse Shteti nuk paraqitet gjatë procedurave në fjalë.”
40. Pjesa tjetër e Pjesës I të Ligjit identifikon përjashtimet nga imuniteti duke përfshirë: nënshtrimin ndaj juridiksionit (seksioni 2); transaksionet dhe kontratat tregtare të kryera në Mbretërinë e Bashkuar (seksioni 3); kontratat e punësimit (seksioni 4); lëndimet personale dhe dëmet në prona “të shkaktuara nga veprimet ose mosveprimet në Mbretërinë e Bashkuar” (seksioni 5); pronësinë, posedimin dhe përdorimin e pronës (seksioni 6); patentat, markat etj. (seksioni 7); anëtarësia e organeve të korporatave (seksioni 8); arbitrazhet (seksioni 9); anijet e shfrytëzuara për qëllime komerciale (seksioni 10); dhe TVSH-ja, detyrimet doganore, etj. (seksioni 11).
41. Seksioni 14 parashikon:
“14(1) Imunitetet dhe privilegjet e dhëna nga kjo Pjesë e këtij Ligji zbatohen në çdo Shtet të huaj apo të Commonwealth-it përveç Mbretërisë së Bashkuar; dhe referencat ndaj një Shteti përfshijnë referencat në lidhje me–
(a) sovranin ose një kryetar tjetër të atij Shteti në cilësinë e tij zyrtare;
(b) qeverinë e atij Shteti;
(c) çdo departament të asaj qeverie,
por jo një entiteti (prej këtu i quajtur ‘entitet i ndarë’) i cili dallon nga organet ekzekutive të qeverisë së Shtetit dhe ka mundësi të ngrejë padi ose ndaj tij të ngrihet padi.
(2) Një entitet i ndarë është imun nga juridiksioni i gjykatave të Mbretërisë së Bashkuar, dhe vetëm nëse–
(a) procedurat lidhur me çdo gjë të bërë prej tij gjatë ushtrimit të autoritetit sovran;
dhe
(b) rrethanat janë të tilla që një Shtet ... do të duhej të ishte imun në këtë mënyrë.”
B. Propend Finance Ltd kundër Sing dhe një tjetër [1997] ILR 611 (“Propend”)
42. Në Propend, Gjykata e Apelit mori në shqyrtim zbatimin e Ligjit të vitit 1978 ndaj kryetarit të Forcës Policore Federale të Australisë. Gjykata konsideroi që i pandehuri kishte përfituar nga imuniteti i Shtetit, duke shpjeguar:
“Mbrojtja që i jep Ligji i vitit 1978 Shteteve do të minohej nëse punonjësit [ose] zyrtarët ... do të mund të paditeshin si individë për çështje të sjelljes së Shtetit në lidhje me të cilën Shteti të cilit ata i shërbejnë ka imunitet. Seksioni 14(1) duhet të lexohet si i tillë që u jep mbrojtje punonjësve apo zyrtarëve individualë të një Shteti të huaj nën të njëjtën ombrellë që ai mbron vetë Shtetin.”
43. Gjykata vërejti që ky pohim gëzonte mbështetje të gjerë në Commonwealth dhe në juridiksione të huaja, duke cituar çështje nga Gjermania, Kanadaja dhe SHBA-ja.
C. Regina kundër Bow Street Metropolitan Stipendiary Magistrate dhe të Tjerë, ex parte Pinochet Ugarte (Nr. 3) [2000] 1 AC 147 (“Pinochet (Nr. 3)”)
44. Pinochet (Nr. 3) kishte të bënte me një kërkesë nga Spanja për ekstradimin e Senatorit Augusto Pinochet nga Mbretëria e Bashkuar për të dalë para gjyqit për krime, përfshirë tortura, të kryera kryesisht në Kili gjatë kohës që ai ishte kryetar Shteti atje. Senatori Pinochet dhe Qeveria e Kilit thanë se Senatori kishte gëzuar imunitet rationae materiae në lidhje me veprat e pretenduara. Dhoma e Lordëve e shpalli vendimin e saj në mars 1999 dhe deklaroi njëzëri që i padituri nuk përfitonte nga imuniteti prej ndjekjes penale në lidhje me akuzat për tortura.
45. Lordi Browne-Wilkinson vërejti që nëse të paditurit nuk i takonte imuniteti në lidhje me aktet e torturave, do të ishte hera e parë që një gjykatë lokale vendase refuzonte dhënien e imunitetit një ish-kryetari Shteti për shkak se nuk mund të kishte imunitet kundër ndjekjes penale për disa krime të caktuara ndërkombëtare. Ai shpjegoi që miratimi i Konventës kundër Torturës synonte të ofronte një sistem ndërkombëtar brenda të cilit torturuesi të mos mund të gjente vend për t’u fshehur. Ai shënoi pikat e rëndësishme në vijim: (1) “tortura” në këtë kontekst mund të kryhej vetëm nga një zyrtar publik ose person tjetër që vepron në cilësi zyrtare, çka përfshinte kryetarin e Shtetit; (2) urdhrat e nivelit të lartë nuk përbënin mbrojtje; (3) ekzistonte juridiksioni penal universal; (4) nuk kishte dispozitë e cila shprehimisht parashikonte diskutimin e imunitetit të Shtetit; (5) Kili, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar ishin të gjitha palë në Konventë dhe andaj ishin të detyruara ndaj dispozitave të saj.
46. Duke iu rikthyer fakteve të çështjes, ai tha:
“Atëherë çështja së cilës i duhet dhënë përgjigje është nëse organizimi i pretenduar i torturave të Shtetit nga Senatori Pinochet (nëse vërtetohet) do të përbënte një akt të kryer nga Senatori Pinochet si pjesë e funksioneve të tij zyrtare si kryetar Shteti. Nuk mjafton të thuhet se kryerja e krimeve nuk mund të jetë pjesë e funksioneve të kryetarit të një Shteti. Veprimet të cilat janë kriminale sipas të drejtës vendase mund të jenë bërë zyrtarisht dhe prandaj i japin shkas imunitetit rationae materiae. Çështja duhet të analizohet më nga afër.
47. Ai ishte i mendimit se kishte baza të forta për të thënë se zbatimi i strukturës së re, siç përkufizohet në Konventën kundër Torturës, nuk mund të ishte funksion shtetëror megjithëse ai kishte dyshime nëse, para hyrjes në fuqi të Konventës kundër Torturës, ekzistenca e krimit ndërkombëtar të torturës si jus cogens ishte e mjaftueshme për të justifikuar përfundimin që organizimi i torturës shtetërore nuk mund të zëvendësonte kryerjen e një funksioni zyrtar për qëllime të imunitetit. Ai vazhdoi:
“... Vetëm kur u vendos një formë e juridiksionit universal për ndëshkimin e krimit të torturës u bë e mundur të flitej për të si krim i mirëfilltë ndërkombëtar. Por sipas gjykimit tim Konventa kundër Torturës nuk ofroi atë që mungonte: një juridiksion universal në mbarë botën. Më tej, ajo u kërkonte të gjitha Shteteve anëtare ta ndalonin dhe ta nxirrnin jashtë ligjit torturën: neni 2. Si mund të jetë për qëllime të së drejtës ndërkombëtare një funksion zyrtar për të bërë diçka që vetë e drejta ndërkombëtare e ndalon dhe e kriminalizon?”
48. Lordi Browne-Wilkinson konsideroi që nëse zbatimi i një regjimi të torturave ishte një funksion zyrtar që i jepte shkas imunitetit rationae materiae, kjo prodhonte rezultate të çuditshme. Meqenëse një imunitet i tillë shtrihej tek të gjithë zyrtarët e Shtetit të përfshirë në kryerjen e funksioneve të Shtetit, dhe meqenëse krimi ndërkombëtar i torturës sipas Konventës kundër Torturës mund të kryhej vetëm nga një zyrtar apo dikush në cilësi zyrtare, të gjithë kryesit e torturës do të kishin të drejtë të kishin imunitet. Do të rridhte që nuk mund të kishte asnjë rast jashtë Kilit në të cilin të mund të ngrihej padi e suksesshme penale kundër të paditurit për tortura nëse Kili nuk ishte i përgatitur të hiqte dorë nga imuniteti. Ai përfundoi:
“... Prandaj e tërë struktura e elaboruar e juridiksionit universal në lidhje me torturat e kryera nga zyrtarët përmbyset dhe një nga objektivat kryesore të Konventës kundër Torturës – ofrimi i një sistemi në të cilin nuk ka strehë të sigurt për torturuesit – do të ishte shkundur. Sipas gjykimit tim, të gjithë këto faktorë së bashku tregojnë se nocioni i imunitetit të vazhduar për ish-kryetarët e Shtetit është në shpërputhje me dispozitat e Konventës kundër Torturës.”
49. Lordi Hope nga Craighead diskutoi pyetjen nëse koncepti i funksioneve zyrtare përfshinte akte të llojit të akuzave në fjalë, të cilat nuk ishin akte private por akte të kryera gjatë ushtrimit të autoritetit të Shtetit. Ai tha:
“... Unë konsideroj që përgjigjja ka themele të forta në të drejtën ndërkombëtare zakonore. Testi është nëse ato kanë qenë akte private, nga njëra anë, apo akte qeveritare të kryera gjatë ushtrimit të autoritetit të tij si kryetar Shteti, nga ana tjetër. Pra, nëse akti është kryer për të promovuar interesat e Shtetit – nëse është bërë për të mirën e tij apo si shpërblim apo është bërë për Shtetin ... Fakti që aktet e bëra për Shtetin kanë përfshirë sjellje e cila është kriminale nuk e heq imunitetin ...
Mund të thuhet që nuk është një ndër funksionet e një kryetari Shteti kryerja e akteve të cilat janë kriminale sipas ligjeve dhe kushtetutës së Shtetit të vet apo të cilat e drejta ndërkombëtare zakonore i sheh si kriminale. Por unë konsideroj që kjo qasje ndaj çështjes është jo e shëndoshë në parim. Parimi i imunitetit rationae materiae mbron të gjitha aktet të cilat kryetari i Shtetit i ka kryer gjatë ushtrimit të funksioneve të qeverisë. Qëllimi për të cilin ato janë kryer i mbron këto akte nga çdo analizë tjetër. Ka vetëm dy përjashtime prej kësaj qasjeje të cilat i ka njohur e drejta ndërkombëtare zakonore. I pari ka të bëjë me aktet kriminale të cilat kryetari i Shtetit i ka bërë nën ombrellën e autoritetit të tij si kryetar Shteti por të cilat në realitet kanë qenë për kënaqësinë ose përfitimin e tij ... I dyti ka të bëjë me aktet ndalimi i të cilave e ka fituar statusin sipas të drejtës ndërkombëtare të jus cogens ...”
50. Lordi Hope përfundoi që pas miratimit të Konventës kundër Torturës, asnjë Shtet nënshkrues i saj nuk mund të thirrej në imunitetin rationae materiae në rast pretendimesh për tortura sistematike apo të përhapura, çka përbënte krim ndërkombëtar, të kryera pas asaj date. Ai shpjegoi:
“Unë nuk do ta shihja këtë si rast i heqjes dorë. As nuk do të pranoja që ka qenë e nënkuptuar nga Konventa kundër Torturës që ish-kryetarët e Shtetit do të ishin të privuar nga imuniteti i tyre rationae materiae për sa u përket të gjitha akteve të torturave zyrtare siç përkufizohen nga neni 1. Puna është se detyrimet që u njohën nga e drejta ndërkombëtare zakonore në rastet e krimeve ndërkombëtare kaq të rënda deri në datën kur Kili ratifikoi Konventën janë aq të forta sa mbizotërojnë ndaj çdo kundërshtimi prej tij mbi bazën e imunitetit rationae materiae ndaj ushtrimit të juridiksionit mbi krimet e kryera pas asaj date që kishte vënë në dispozicion Mbretëria e Bashkuar.”
51. Lordi Hutton arriti në përfundimin se synimi i qartë i Konventës kundër Torturës ishte që një zyrtar i një Shteti i cili kishte kryera tortura të ndiqej penalisht nëse do të ishte i pranishëm në një Shtet tjetër. Prandaj, ai konsideroi që i padituri nuk mund të pretendonte se komisioni i akteve të torturës pas hyrjes në fuqi të Konventës ishin funksione të kryetarit të Shtetit. Ndërkohë që aktet e pretenduara të torturave nga i padituri janë kryer nën ombrellën e pozicionit të tij si kryetar Shteti, ato nuk mund të shiheshin si funksione të një kryetari Shteti sipas të drejtës ndërkombëtare kur e drejta ndërkombëtare e ndalonte shprehimisht torturën si masë të cilën çdo Shtet mund ta zbatonte në çdo rrethanë dhe e kishte bërë atë krim ndërkombëtar.
52. Lordi Saville i Newdigate qe dakord që pas hyrjes në fuqi të Konventës kundër Torturës, imuniteti rationae materiae i Shtetit për akte torturash nuk mund të ekzistonte në përputhje me terminologjinë e tij. Nga kjo rrodhi që mes Spanjës, Kilit dhe Mbretërisë së Bashkuar ekzistonte një marrëveshje për përjashtim nga rregulla e përgjithshme për imunitetin e Shtetit rationae materiae nga data kur tre Shtetet u bënë palë në Konventë.
53. Lordi Millett u shpreh se përkufizimi i torturës në Konventën kundër Torturës ishte krejtësisht i papajtueshëm me ekzistencën e një kërkese për imunitet rationae materiae. Ai përfundoi:
“... Republika e Kilit ka qenë palë në Konventën kundër Torturës, dhe duhet të merret që ajo ka dhënë pëlqimin për caktimin e një detyrimi mbi gjykatat e huaja kombëtare për të marrë dhe ushtruar juridiksion penal në lidhje me përdorimin zyrtar të torturës. Unë nuk e shoh si të tillë që ajo të ketë hequr dorë nga imuniteti në këtë rast. Sipas mendimit tim, nuk ka pasur imunitet nga i cili të hiqej dorë. Vepra është e atillë që mund të kryhet vetëm në rrethana të cilat do t’i jepnin shkas imunitetit. Komuniteti ndërkombëtare kishte krijuar një vepër penale për të cilën imuniteti rationae materiae nuk do të mund të vihej në dispozicion. E drejta ndërkombëtare nuk mund të supozohet se ka vendosur një krim me karakter të një jus cogens dhe njëkohësisht të ketë parashikuar një imunitet i cili shtrihet paralelisht me detyrimin që synon të vendosë.”
54. Ai pa dallimet mes procedurave civile dhe atyre penale, duke shpjeguar:
“... Nuk shoh asgjë jo logjike apo të kundërt me politikat publike në mohimin e të drejtës së viktimave të torturës së mbështetur nga Shteti për të paditur Shtetin shkelës në një gjykatë të huaj, njëkohësisht duke lejuar (e në fakt duke kërkuar) që Shtetet e tjera të burgosnin dhe të dënonin individët përgjegjës nëse Shteti shkelës nuk ndërmerr veprime. Pikërisht ky ishte objekti i Konventës kundër Torturës. Është me rëndësi të theksohet se Senatori Pinochet nuk pretendohet të jetë penalisht përgjegjës për shkak se ka qenë kryetar Shteti kur zyrtarët e tjera përgjegjës kanë përdorur torturën për ta mbajtur atë në pushtet. Ai nuk pretendohet të jetë tërthorazi përgjegjës për keqbërjet e vartësve të tij. Ai pretendohet se i ka shkaktuar vetes përgjegjësi penale të drejtpërdrejtë për aktet e tij në urdhërimin dhe drejtimin e një fushate terrori që përfshinte përdorimin e torturave ...”
55. Lordi Phillips nga Worth Matravers po ashtu komentoi që parimet e të drejtës së imunitetit që zbatoheshin në mosmarrëveshjet civile jo domosdoshmërisht do të zbatoheshin në rastin e ndjekjes penale. Ai tha që sikur procedurat në çështjen Pinochet të kishin qenë të natyrës civile Kili mund të kishte sjellë argumentin që ai akuzohej në mënyrë të tërthortë; por ai argument nuk u paraqit aty ku procedurat ishin penale dhe ku çështja qëndronte tek përgjegjësia personale e të paditurit, jo tek përgjegjësia e Kilit. Ndaj pyetjes së bërë në këtë rast, Lordi Phillips, ashtu si Lordi Saville, konsideroi që imuniteti i Shtetit rationae materiae nuk mund të bashkekzistonte me nocionin e krimeve ndërkombëtare. Meqenëse në rastin e torturave e vetmja sjellje që mbulohej nga Konventa kundër Torturës ishte sjellja e cila mund t’i nënshtrohej imunitetit rationae materiae nëse ai ishte i zbatueshëm, Konventa ishte në papajtueshmëri me zbatueshmërinë e një imuniteti të tillë.
56. Lordi Goff nga Chieveley, mendim pakicë, konsideroi se ishte e qartë që nëse imuniteti i Shtetit në lidhje me torturën përjashtohej në këtë çështje, atëherë kjo mund të ishte bërë vetëm nga vetë Konventa kundër Torturës. Ai nuk konsideroi që parimi tashmë i vendosur që heqja dorë e një Shteti prej imunitetit duhet të ishte e thënë shprehimisht mund të anashkalohej me anë të gjetjes që tortura nuk ka qenë pjesë e funksioneve të një Shteti dhe prandaj imuniteti rationae materiae nuk zbatohej në këto akte. Ai theksoi që nuk kishte prova të ndonjë konsiderate dhënë heqjes dorë nga imuniteti i Shtetit në negociatat që çuan deri tek Konventa kundër Torturës. Më tej ai vuri në pah që nëse imuniteti rationae materiae do të përjashtohej, ish-kryetarët e Shtetit dhe zyrtarët publikë të lartë do të duhej të mendoheshin dy herë para se të udhëtonin jashtë vendit, për shkak të frikës së ngritjes së akuzave të pabaza që do të lindnin nga Shtetet me bindje të tjera politike. Prandaj, ai arriti në përfundimin që imuniteti i Shtetit zbatohej.
D. Dorëzimi i pretendimeve jashtë juridiksionit
57. Pjesa 6 e Rregullores së Procedurës Civile për Anglinë dhe Uejllsin rregullon dorëzimin e padive jashtë juridiksionit. Në kohën materiale, sipas neneve 6.20 dhe 6.21, për të marrë leje për të dorëzuar padi jashtë juridiksionit, një kërkues duhet të tregonte që kishte perspektivë të arsyeshme drejt suksesit në padi, për të bindur gjykatën që ishte çështje me vend në të cilën duhet të ushtrohej diskrecion për të lejuar dorëzimin e padisë dhe për të vërtetuar që Anglia dhe Uejllsi ishin juridiksioni i duhur për ngritjen e kësaj padie.
E. Dëmshpërblimi në procedura penale
58. Sipas seksionit 130 të Ligjit për Pushtetin e Dënimeve në Gjykatat Penale të vitit 2000, një gjykatë penale ka pushtetin të lëshojë urdhër për dëmshpërblim për lëndime personale, humbje ose dëme që rezultojnë nga një vepër penale. Urdhri lëshohet në çështje të thjeshta dhe të drejtpërdrejta ku shuma e kompensimit mund të sigurohet menjëherë dhe lehtë dhe ku gjyqtari ka para vetes provat e nevojshme. Ai nuk lëshohet për të zëvendësuar dëmet civile, aty ku llogaritja sasiore e humbjes mund të jetë e vështirë.
III. MATERIALET RELEVANTE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE
A. Ndalimi i torturës
59. Mbretëria e Bashkuar, Arabia Sauditë dhe 151 Shtete të tjera janë palë në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Torturës të vitit 1984. Neni 1 parashikon:
“1. Pёr qëllimet e kësaj Konvente termi “torturë” nënkupton çdo veprim me të cilin
personit tjetër i shkaktohen qëllimisht dhembje a vuajtje të rënda, fizike ose mendore, me qëllim që të sigurojë nga ai ose nga ndonjë person i tretë, informacione ose pohime për ta dënuar për veprën të cilën ai ose ndonjë person i tretë e ka kryer ose dyshohet se e ka kryer, ose me qëllim që të frikësohet ose detyrohet ai ose ndonjë person i tretë, ose për ndonjë arsye tjetër të bazuar në diskriminimin e cilitdo lloji, kur dhembjet ose vuajtjet e tilla shkaktohen nga një person zyrtar ose nga një person i tretë që vepron sipas detyrës zyrtare ose me nxitjen a pëlqimin e tij. Ky term nuk përfshin vuajtjet ose dhembjet që rezultojnë vetëm nga sanksionet ligjore, që u përkasin ose janë shkaktuar prej tyre.
2. Ky nen nuk cenon asnjë dokument ndërkombëtar ose asnjë ligj kombëtar që përmban ose mund të përmbajë dispozita të një zbatimi më të gjerë.”
60. Neni 2(1) i Konventës u kërkon Shteteve të marrin “masa efektive legjislative, administrative, gjyqësore ose masa të tjera për të parandaluar aktet e torturës në të gjitha territoret nën juridiksionin e tyre”.
61. Neni 4 i detyron Shtetet të sigurohet që të gjitha aktet e torturës, përfshirë përpjekjet për të kryer tortura ose një akt që përbën bashkëfajësi ose bashkëpjesëmarrje në tortura, janë vepra penale sipas të drejtës penale të saj.
62. Neni 5 parashikon:
“1. Çdo shtet palë merr masa të tilla të nevojshme për vendosjen e juridiksionit të vet për të gjykuar shkeljet e përmendura në nenin 4, në raste e mëposhtme:
(a) Kur veprat penale kryhen në cilindo territor nën juridiksionin e vet ose në anije apo aeroplan të regjistruar në atë shtet,
(b) Kur kryerësi i supozuar është shtetas i atij shteti,
(c) Kur viktima është shtetas i atij shteti, në qoftë se ky shtet konsideron se një gjë e tillë është e përshtatshme.
2. Çdo shtet palë merr gjithashtu masa të tilla të nevojshme për vendosjen e juridiksionit të vet për të gjykuar shkeljet e sipërpërmendura në rastin kur kryerësi i supozuar i tyre ndodhet në cilindo territor nën juridiksionin e tij dhe kur shteti në fjalë nuk e ekstradon në përputhje me nenin 8, në ndonjërin nga shtetet e përmendura në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Kjo Konventë nuk përjashton asnjë kompetencë penalo-juridike që ushtrohet në përputhje me ligjet e një vendi.”
63. Neni 14 parashikon:
“1. Çdo shtet palë, në sistemin e vet juridik, i siguron viktimës së një akti të torturës të drejtën për të kërkuar reparacion dhe për t’u dëmshpërblyer me drejtësi dhe në mënyrë adekuate, duke përfshirë mjetet e nevojshme për riaftësim sa më të shpejtë. Në rast të vdekjes së viktimës si pasojë e një veprimi të torturës, ata që kanë pasur pasoja prej saj kanë të drejtë për dëmshpërblim.
2. Ky nen nuk përjashton asnjë të drejtë për dëmshpërblimin të cilin viktima ose personat e tjerë do t’i gëzonin në bazë të ligjeve të vendit.”
64. Pas ratifikimit të Konventës kundër Torturës, Shtetet e Bashkuara shprehën rezervat e tyre duke shprehur të kuptuarit e tyre që neni 14 kërkonte që një Shtet Palë të ofronte të drejtën private të veprimit për dëmshpërblim vetëm për aktet e torturave të kryera në territorin nën juridiksionin e atij Shteti Palë.
65. Në përfundimet dhe rekomandimet e tij të 12 qershorit 2002 në lidhje me raportin periodik të paraqitur nga Arabia Saudite (CAT/C/CR/28/5), Komiteti Kundër Torturës e konsideroi çështje shqetësuese që në Arabinë Saudite, dukej se kishte dështuar ofrimi i mekanizmave efektive të hetimit të ankesave për shkelje të Konventës kundër Torturës; dhe që ndërkohë që ekzistonin mekanizmat për qëllime të ofrimit të kompensimit për sjellje në shkelje të Konventës, në praktikë kompensimi rrallëherë fitohej e rrjedhimisht gëzimi i plotë i të drejtave të garantuara me Konventë ishte i kufizuar.
66. Në përfundimet dhe rekomandimet e tij të 7 korrikut 2005 në lidhje me raportin periodik të paraqitur nga Kanadaja (CAT/C/CR/34/CAN), Komiteti e konsideroi çështje shqetësuese që në Kanada kishte mungesë të masave efektive për të ofruar kompensim civil për viktimat e torturës në të gjitha rastet. Megjithëse kompensimi ishte në dispozicion për torturat e shkaktuara në Kanada, ai nuk ishte në dispozicion në rastet kur torturat kishin ndodhur diku tjetër. Komiteti rekomandoi që Kanadaja “të shqyrtonte qëndrimin e saj sipas nenit 14 të Konventës për të garantuar ofrimin e kompensimit për të gjitha viktimat e torturës përmes juridiksionit të saj civil”.
67. Në Komentin e tij të Përgjithshëm Nr. 3 (2012), Komiteti mori në shqyrtim zbatimin e nenit 14 nga Shtetet Palë. Në lidhje me shtrirjen e të drejtës për zgjidhje, ai shënoi inter alia:
“22. Sipas Konventës, Shteteve Palë u kërkohet të ndjekin penalisht ose të ekstradojnë kryesit e pretenduar të torturave kur ata gjenden në çdo territor sipas juridiksionit të tij, dhe të miratojnë legjislacionin e nevojshëm për ta bërë të mundur këtë. Komiteti konsideron që zbatimi i nenit 14 nuk kufizohet tek viktimat të cilat janë dëmtuar në territorin e Shtetit Palë ose nga apo kundrejt shtetasve të Shtetit Palë. Komiteti ka lavdëruar përpjekjet e Shteteve Palë për ofrimin e zgjidhjeve civile për viktimat që i janë nënshtruar torturave ose keqtrajtimeve jashtë territorit të tyre. Kjo është posaçërisht e rëndësishme kur një viktimë e ka të pamundur ushtrimin e të drejtave të garantuara nga neni 14 në territorin ku ka ndodhur shkelja. Në fakt, neni 14 kërkon që Shtetet Palë të sigurojnë që të gjitha viktimat e torturës dhe keqtrajtimit të kenë mundësi për qasje në dëmshpërblim dhe për zgjidhje.”
68. Për sa i përket çështjes së imunitetit të Shtetit dhe pengesave për zgjidhje, Komiteti tha:
“42. Në mënyrë të ngjashme, dhënia e imunitetit, në shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndaj çdo Shteti apo agjentëve të tij ose aktorëve jo-shtetërorë për tortura ose keqtrajtime, është në konflikt të drejtpërdrejtë me detyrimin për ofrimin e zgjidhjes për viktimat. Kur pandëshkueshmëria është e lejuar me ligj ose ekziston de facto, kjo i pengon viktimat nga kërkimi i zgjidhjes së plotë sepse i lejon shkelësit të mbeten të padënuar dhe u mohon viktimave garantimin e plotë të të drejtave të tyre sipas nenit 14. Komiteti konstaton që në asnjë rrethanë nuk mund të përdoren argumentet e sigurisë kombëtare për t’u mohuar viktimave zgjidhjen.”
69. Në Prokurori kundër Furundzija (1999) 38 ILM 317, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (“ICTY”) u shpreh se ndalimi i torturës ishte jus cogens, çka artikulonte nocionin që ndalimi ishte bërë një nga standardet më themelore të komunitetit ndërkombëtar. Deklarata të ngjashme pati në Prokurori kundër Delacic dhe të Tjerë (16 nëntor 1998, çështja nr. IT-96-21-T) dhe në Prokurori kundër Kunarac (22 shkurt 2001, çështjet nr. IT-96-23-T dhe nr. IT‑96‑23/1).
B. Imuniteti i Shtetit
1. Konventa Evropiane mbi Imunitetin e Shtetit e vitit 1972 (“Konventa e Baselit”)
70. Konventa e Baselit është nënshkruar nga nëntë Shtete anëtare të Këshillit të Evropës dhe është ratifikuar nga tetë prej tyre, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1979.
71. Sipas nenit 15 të Konventës, Shtetet Kontraktuese janë imune nga juridiksioni i gjykatës së një Shteti tjetër Kontraktues nëse procedurat nuk hyjnë brenda neneve 1 deri në 14 të Konventës. Neni 27 parashikon që shprehja “Shtet Kontraktues” nuk përfshin ndonjë entitet ligjor të një Shteti Kontraktues i cili është i dallueshëm dhe në gjendje të ngrejë padi dhe ndaj tij të ngrihet padi, edhe nëse atij entiteti i janë besuar funksione publike.
72. Nenet 1 deri në 14 përfshijnë procedura në lidhje me kontratat e punësimit (neni 5); pjesëmarrjen në kompani ose në organe të tjera kolektive (neni 6); transaksionet tregtare (neni 7); pronësia intelektuale dhe industriale (neni 8); pronësia, posedimi dhe përdorimi i pronës (neni 9); lëndimet personale dhe dëmet në pronë të shkaktuara nga një veprim ose mosveprim i cili ka ndodhur në territorin e Shtetit forum (neni 11); dhe marrëveshjet e arbitrazhit (neni 12).
73. Neni 24 i lejon një Shteti të deklarojë që, pavarësisht nga dispozitat e nenit 15, në rastet që nuk hyjnë brenda neneve 1 deri në 13, gjykatat e tij do të lejohen të zhvillojnë procedura kundër Shteteve të tjera anëtare në të njëjtën masë siç lejohen të veprojnë kështu kundër Shteteve të cilat nuk janë palë në Konventë. Gjashtë Shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, e kanë bërë një deklaratë të tillë.
2. Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 2004 mbi Imunitetet Juridiksionale të Shteteve dhe Pronës së Tyre (“Konventa e OKB-së për Imunitetet Juridiksionale”)
74. Në vitin 1991, Komisioni Ndërkombëtar i Ligjeve (“ILC”) miratoi Draft Nenet mbi imunitetet juridiksionale të Shteteve.
75. Konventa e OKB-së për Imunitetet Juridiksionale, e bazuar mbi Draft Nenet, u miratua në vitin 2004. Katërmbëdhjetë Shtete janë palë në Konventë dhe tetëmbëdhjetë Shtete të tjera e kanë nënshkruar atë. Ende nuk ka hyrë në fuqi meqenëse kërkohen tridhjetë ratifikime për ta bërë këtë. Mbretëria e Bashkuar e ka nënshkruar por nuk e ka ratifikuar, dhe Arabia Saudite e ka miratuar Konventën më 1 shtator 2010.
76. Neni 5 parashikon si parim të përgjithshëm që një Shtet gëzon imunitet nga juridiksioni i gjykatave të një Shteti tjetër. Neni 2(1)(b)(iv) e përkufizon “Shtetin” si i tillë që përfshin përfaqësues të Shtetit që veprojnë në atë cilësi. Komentari i ILC-së për dispozitën e Draft Neneve të vitit 1991 (ku u shfaq si neni 2(1)(b)(v)) shpjegon:
“(17) Kategoria e pestë dhe e fundit e përfituesve të imunitetit të Shtetit përfshin të gjithë personat natyralë që janë të autorizuar të përfaqësojnë Shtetin në të gjitha manifestimet e tij, siç përfshihet në katër kategoritë e para të përmendura në paragrafët 1 (b) (i) deri në (iv). Kështu, sovranët dhe kryetarët e Shtetit në cilësinë e tyre zyrtare do të përfshiheshin në këtë kategori si dhe në kategorinë e parë, meqenëse në kuptim më të gjerë janë organe të Qeverisë së Shtetit. Përfaqësues të tjerë përfshijnë kryetarët e Qeverisë, kryetarët e departamenteve ministrore, ambasadorët, kryetarët e misioneve, agjentët diplomatikë dhe zyrtarët konsullorë, në cilësi përfaqësuese. Referenca në fund të paragrafit 1(b)(v) ‘në atë cilësi’ synon të qartësojë që imunitete të tilla u jepet cilësisë së tyre përfaqësuese rationae materiae.”
77. Neni 6(1) i Konventës së OKB-së për Imunitetet Juridiksionale parashikon që një Shtet do ta fusë në fuqi imunitetin e Shtetit duke u përmbajtur nga ushtrimi i juridiksionit në procedura para gjykatave të veta kundër një Shteti tjetër. Sipas nenit 6(2) konsiderohet se para një gjykate të një Shteti kanë filluar procedurat kundër një Shteti tjetër nëse ai Shtet tjetër emërtohet si palë në ato procedura ose nëse nuk emërtohet si palë por procedurat në fjalë synojnë të ndikojnë tek pasuria, të drejtat, interesat ose aktivitetet e atij Shteti tjetër.
78. Pjesa III e Konventës përcakton procedurat në të cilat nuk mund të zbatohet imuniteti i Shtetit. Ato përfshijnë transaksionet tregtare (neni 10); kontratat e punësimit (neni 11); lëndimet personale dhe dëmet në pronë të shkaktuara nga veprimi ose mosveprimi i ndodhur tërësisht ose pjesërisht në territorin e Shtetit forum (neni 12); pronësia, posedimi dhe përdorimi i pronës (neni 13); pronësia intelektuale dhe industriale (neni 15); anijet në pronësi të ose që operohen nga një Shtet (neni 16); dhe marrëveshjet e arbitrazhit (neni 17).
79. Konventa e OKB-së për Imunitetet Juridiksionale nuk përfshin përjashtime nga imuniteti i Shtetit mbi bazën e një shkeljeje të pretenduar të normave jus cogens (“përjashtimi jus cogens”). Në sesionin e tij të pesëdhjetepestë, në vitin 1999, ILC ngriti një grup punues mbi Imunitetet Juridiksionale të Shteteve dhe Pasurive të Tyre në përputhje me rezolutën 53/98 të Asamblesë së Përgjithshme mbi Draft Nenet e atëhershme. Në rezolutën e saj Asambleja e Përgjithshme ftoi ILC-në të paraqiste të gjitha komentet paraprake që mund të kishte në lidhje me çështje substanciale të diskutueshme në lidhje me Draft Nenet, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit të praktikës së Shtetit dhe faktorë të tjerë që nga miratimi i Draft Neneve. Prandaj grupi punues mori në shqyrtim, inter alia, praktikat e kohëve të fundit të imunitetit juridiksional në këtë fushë. Ai shënoi zhvillimet e fundit në praktikën dhe legjislacionin e Shtetit dhe iu referua ekzistencës së njëfarë mbështetjeje për pikëpamjen që zyrtarët e Shtetit nuk duhet të kishin të drejtë të pretendonin imunitet për akte të torturave të kryera në territorin e tyre si në veprime civile ashtu edhe në veprime penale. Nuk u propozua asnjë amendament për draft nenet para miratimit të Konventës në vitin 2004.
80. Tre Shtete bënë deklarata pas ratifikimit të Konventës. Norvegjia dhe Suedia deklaruan që Konventa nuk paragjykonte asnjë zhvillim ndërkombëtar në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Zvicra konsideroi që neni 12 nuk e qeveriste çështjen e kompensimit material për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut të cilat supozohej t’i atribuoheshin një Shteti dhe ishin kryer jashtë Shtetit të forumit. Prandaj ajo deklaroi, ashtu si Norvegjia dhe Suedia, që Konventa nuk paragjykonte zhvillimet në të drejtën ndërkombëtare në këtë drejtim.
3. Praktika gjyqësore relevante e gjykatave ndërkombëtare
(a) Prokurori kundër Blaškić (1997)110 ILR 607
81. Në Blaškić, gjatë shqyrtimit nëse zyrtarët e Shtetit ishin personalisht përgjegjës për akte të gabuara, Dhoma e Apelit e ICTY shpjegoi:
“38. Dhoma e Apelit e hedh poshtë mundësinë që Tribunali Ndërkombëtar t’i paraqesë ftesë për gjyq zyrtarëve të Shtetit që veprojnë në cilësinë e tyre zyrtare. Zyrtarë të tillë janë thjesht instrumente të një Shteti dhe veprimet e tyre zyrtare mund t’i atribuohen vetëm Shtetit. Ata nuk mund t’i nënshtrohen sanksioneve ose dënimeve për sjellje të cilat nuk janë private por ndërmerren në emër të një Shteti. Me fjalë të tjera, zyrtarët e Shtetit nuk mund të vuajnë pasojat e akteve të gabuara të cilat nuk iu atribuohen atyre personalisht por Shtetit në emër të të cilit ata veprojnë: ata gëzojnë të ashtuquajturin ‘imunitet funksional’. Kjo është një rregullë e vendosur e të drejtës ndërkombëtare zakonore që i ka fillesat në shekujt e tetëmbëdhjete dhe të nëntëmbëdhjetë, e rideklaruar shumë herë nga ajo kohë. Më rishtazi, Franca mori një qëndrim të bazuar mbi atë rregullë në çështjen Rainbow Warrior. Rregulla gjithashtu u paraqit në mënyrë të qartë nga Gjykata Supreme e Izraelit në çështjen Eichmann.
...
41. ... Dihet mirë që e drejta ndërkombëtare zakonore mbron organizimin e brendshëm të secilit Shtet sovran: ajo ia lë në dorë secilit Shtet sovran të përcaktojë strukturën e tij të brendshme dhe posaçërisht të caktojë individët që veprojnë si agjentë ose organe të Shtetit. Çdo Shtet sovran ka të drejtë të lëshojë udhëzime për organet e veta, si për ato që operojnë në nivel të brendshëm ashtu edhe për ato që operojnë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe gjithashtu të parashikojë sanksione ose zgjidhje të tjera për rastet e mos veprimit në pajtim me ato udhëzime. Konkluzioni i këtij pushteti ekskluziv është që secili Shtet ka të drejtë të pretendojë që aktet ose transaksionet e kryera nga një prej organeve të tij në cilësinë e vet zyrtare mund t’i atribuohen Shtetit, kështu që individit nuk mund t’i kërkohet llogari për ato akte ose transaksione.” (shënimet në fund të faqes janë hequr)
(b) Prokurori kundër Furundzija
82. Në Furundzija, ICTY nuk iu adresua drejtpërdrejt çështjes së imunitetit por iu referua përgjegjësisë personale të kryesve të torturave dhe mundësisë për hapjen e procedurave për tortura:
“155. Fakti që tortura është e ndaluar me anë të një norme të pakundërshtueshme të së drejtës ndërkombëtare ka efekte të tjera në nivele ndër-shtetërore dhe individuale. Në nivel ndër-shtetëror, ai shërben për të de-legjitimizuar ndërkombëtarisht çdo akt legjislativ, administrativ apo gjyqësor që autorizon torturën. Do të ishte e palogjikshme të argumentohej, nga njëra anë, që për shkak të vlerës jus cogens të ndalimit të torturës, marrëveshjet apo rregullat zakonore që kanë të bëjnë me torturat të jenë të zbrazëta dhe të pavlefshme ab initio, dhe pastaj do të ishte pakujdesi nga ana e një Shteti që të marrë masa kombëtare që autorizojnë ose lejojnë torturat apo që shfajësojnë kryesit përmes një ligji amnistie. Po të shfaqej një situatë e tillë, masat kombëtare, shkelja e parimit të përgjithshëm dhe çdo dispozitë e marrëveshjes, do të kishte pasojat ligjore të diskutuara më lart dhe përveç kësaj nuk do t’i jepej njohje ligjore ndërkombëtare. Procedurat mund të filloheshin nga viktimat potenciale nëse ato do të kishin status locundi para një trupi gjyqësor kompetent ndërkombëtar ose kombëtar me qëllim që t’i kërkohet kësaj të fundit që ta shpallë masën kombëtare ndërkombëtarisht të paligjshme; ose viktima do të mund të ngrinte padi civile për dëmshpërblim në një gjykatë të huaj, së cilës më pas do t’i kërkohej inter alia që të mos e merrte parasysh vlerën ligjore të ligjit kombëtar autorizues. Çka është edhe më me rëndësi është fakti se kryesit e torturave që veprojnë në pajtim me ose që përfitojnë nga këto masa kombëtare mund të mbahen sidoqoftë penalisht përgjegjës për tortura, qoftë në një Shtet të huaj, qoftë në Shtetin e vet, nga një regjim pasues. Shkurt, pavarësisht nga autorizimi i mundshëm kombëtar nga organet legjislative ose gjyqësore për të shkelur parimin e ndalimit të torturës, individët mbeten të detyruar të veprojnë në përputhje me atë parim. Siç u shpreh Tribunali Ndërkombëtar Ushtarak në Nuremberg: ‘individët kanë detyra ndërkombëtare të cilat shkojnë përtej detyrimeve kombëtare të bindjes të vendosura nga Shteti individual’.” (shënimet në fund të faqes janë hequr)
(c) Republika Demokratike e Kongos kundër Belgjikës [2002] ICJ Rep 3 (“çështja e Urdhërarrestit”)
83. Belgjika lëshoi një urdhërarrest për ministrin në detyrë të punëve të jashtme të Republikës Demokratike të Kongos për shkelje të rënda të Konventave të Gjenevës dhe krime kundër njerëzimit. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (“ICJ”) gjeti që çështja dhe qarkullimi ndërkombëtar i urdhërarrestit nuk kishin respektuar imunitetin nga juridiksioni penal dhe paprekshmërinë që ministri i jashtëm gëzonte sipas të drejtës ndërkombëtare. Ajo theksoi se çështja kishte të bënte vetëm me imunitetin nga juridiksioni penal dhe paprekshmëria e një ministri të punëve të jashtme. Imuniteti dhënë një individi të tillë e mbronte atë nga çdo akt autoriteti i një Shteti tjetër i cili mund ta pengonte atë nga kryerja e detyrave të tij. Nuk mund të bëhej asnjë dallim mes akteve të kryera nga një ministër i punëve të jashtme në cilësinë “zyrtare”, dhe akteve që pretendohej të ishin kryer në “cilësi private”. Gjykata shtoi:
“59. Më tej duhet të shënohet që rregullat që qeverisin juridiksionin e gjykatave kombëtare duhet të dallohen me kujdes nga ato që qeverisin imunitetet juridiksionale: juridiksioni nuk nënkupton mungesë imuniteti, ndërkohë që mungesa e imunitetit nuk nënkupton juridiksion. Prandaj, megjithëse konventa të ndryshme ndërkombëtare mbi parandalimin dhe ndëshkimin të veprave të caktuara penale caktojnë mbi Shtetet detyrime për ndjekje penale ose ekstradim, duke u kërkuar kështu atyre që të shtrijnë juridiksionin e tyre penal, një shtrirje e tillë e juridiksionit nuk ka kurrfarë efekti mbi imunitetet sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore, përfshirë edhe ato të Ministrave të Punëve të Jashtme ... “
84. Në mendimet e tyre të përbashkëta dhënë ndaras, Gjyqtarët Higgins, Koojimans dhe Buergenthal vërejtën që imuniteti dhe juridiksioni janë dy norma të dallueshme të së drejtës ndërkombëtare por që njëkohësisht janë “të lidhura pazgjidhshmërisht”. Në lidhje me juridiksionin, ata vërejtën:
“Në çështje civile tashmë shohim fillimin e një forme shumë të gjerë të juridiksioni jashtëterritorial. Sipas Ligjit për Pretendimet Jashtëkontraktore të të Huajve [Alien Tort Claims Act, USA], Shtetet e Bashkuara, duke u bazuar mbi një ligj të vitit 1789, kanë vendosur juridiksion si mbi shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe mbi shkeljet madhore të së drejtës ndërkombëtare të kryera nga jo-shtetasit jashtë vendit. Një juridiksion i tillë, me mundësinë e urdhërimit të pagimit të dëmshpërblimit, është ushtruar në lidhje me torturat e kryera në disa vende (Paraguai, Kili, Argjentinë, Guatemala), dhe në lidhje me shkelje të tjera të të drejtave të njeriut në vende akoma të tjera. Ndërkohë që ky ushtrim i dyanshëm i funksionit të rojtarit të vlerave ndërkombëtare është komentuar shumë, ai nuk ka tërhequr miratimin e Shteteve në përgjithësi.”
85. Në lidhje me imunitetin, ata dalluan një tendencë drejt refuzimit të pandëshkueshmërisë për krime të rënda ndërkombëtare, një konstatim më të gjerë të juridiksionit dhe kufizimin e disponibilitetit të imunitetit si mburojë. Ata shtuan:
“Në literaturë tani pretendohet gjithnjë e më shumë ... që krimet e rënda ndërkombëtare nuk mund të shihen si akte zyrtare sepse ato nuk janë as funksione normale të Shtetit as funksione që mund t’i kryejë një Shtet vetëm (kundrejt një individi) ... Kjo pikëpamje nënvizohet nga të kuptuarit gjithnjë e më shumë e faktit që motivet lidhur me Shtetin nuk janë testi i duhur për të përcaktuar se çfarë përbën akte publike të Shtetit. E njëjta pikëpamje gradualisht po shprehet edhe në praktikën e Shtetit, siç vërtetohet në vendimet dhe mendimet gjyqësore.”
(d) Në lidhje me çështje të caktuara të ndihmës së ndërsjellë në çështje penale (Xhibuti kundër Francës, 4 qershor 2008) (“Xhibuti kundër Francës”)
86. Çështja kishte të bënte me imunitetin nga ndjekja penale në Francë e procureur de la République dhe Kryetarit të Shërbimit Kombëtar të Sigurisë në Xhibuti. ICJ shënoi:
“194. ... [N]uk ka baza në të drejtën ndërkombëtare mbi të cilat mund të thuhet se zyrtarët në fjalë kanë pasur të drejtë të kishin imunitete personale, meqenëse nuk ishin diplomatë brenda kuptimit të Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, dhe Konventa mbi Misionet Speciale e vitit 1969 nuk ishte e zbatueshme në këtë rast.”
87. Për sa i përket ekzistencës së imunitetit rationae materiae, ajo shpjegoi:
“196. Në asnjë moment gjykatat franceze (para të cilave normalisht do të pritej të shfaqej sfida ndaj juridiksionit), e në fakt as kjo Gjykatë, nuk janë informuar nga Qeveria e Xhibutit që aktet për të cilat është bërë ankesë në Francë kanë qenë aktet e saj, dhe që procureur de la République dhe Kryetari i Shërbimit Kombëtar të Sigurisë kanë qenë organet, agjencitë apo instrumentalitetet e saj në kryerjen e tyre.
Shteti i cili kërkon të pretendojë imunitet për një prej organeve të veta shtetërore pritet t’i informojë autoritetet e Shtetit tjetër në këtë mes. Kjo do ta lejonte gjykatën e Shtetit forum të sigurohej që të mos dështojë në respektimin e çdo të drejte për imunitet dhe prandaj mund të angazhojë përgjegjësinë e atij Shteti. Më tej, Shteti që informon një gjykatë të huaj që procesi gjyqësor kundër organeve të tij shtetërore nuk duhet të vazhdojë, për arsye imuniteti, po merr përsipër përgjegjësinë për çdo akt të gabuar ndërkombëtar në fjalë të kryer nga këto organe.”
(e) Imunitetet Juridiksionale të Shtetit (Gjermania kundër Italisë), 3 shkurt 2012
88. Çështja zuri fill nga një ankesë e bërë nga Gjermania pas disa vendimeve nga gjykatat italiane që Shteti gjerman nuk përfitonte nga imuniteti në lidhje me akuzat për shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare të kryer nga Gjermania në Itali gjatë Luftës së Dytë Botërore; dhe pas urdhërimit që Gjermania të paguante dëmshpërblime. Qeveria italiane bëri dy parashtresa: së pari, që doktrina e imunitetit të Shtetit lejonte një përjashtim kur aktet e gabuara ishin kryer në territorin e Shtetit ku është ngritur pretendimi (“parimi territorial jashtëkontraktor”; dhe, së dyti, që ishte e lejueshme sipas të drejtës ndërkombëtare në shkelje të jus cogens në lidhje me të cilën nuk ekzistonte asnjë formë tjetër e zgjidhjes (“përjashtimi i të drejtave të njeriut”).
89. E drejta për imunitet ashtu siç ishte mes Gjermanisë dhe Italisë rridhte nga e drejta ndërkombëtare zakonore. Prandaj, ICJ shqyrtoi nëse kishte një “praktikë të vendosur” së bashku me opinio juris për sa i përket ekzistencës së imunitetit. Ajo konsideroi që rregulla e imunitetit të Shtetit ishte miratuar si rregullë e përgjithshme e të drejtës ndërkombëtare zakonore dhe zinte një vend të rëndësishëm në të drejtën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
90. Gjykata e refuzoi parimin territorial jashtëkontraktor të referuar nga Qeveria italiane. Për sa i përket përjashtimit të të drejtave të njeriut, gjykata konsideroi që kjo përfaqësonte problem logjistik sepse kërkonte hetime në lidhje me themelet për të përcaktuar çështjen e juridiksionit. Përveç këtij problemi, gjykata vërejti që nuk kishte pothuaj asnjë praktikë shtetërore e cila mund të konsiderohej se e mbështeste pohimin që një Shtet të ishte privuar nga e drejta e tij për imunitet në një rast të tillë; njëkohësisht, një përjashtim i tillë nuk paraqitej as në Konventën e Baselit e as në Konventën e OKB-së për Imunitetet Juridiksionale (shih, respektivisht, paragrafët 70-73 dhe 75-80 lart). Gjithashtu, ajo iu referua gjetjeve të grupit punues të ILC-së në vitin 1999 dhe faktit që nuk ishte propozuar asnjë amendament për Draft Nenet e vitit 1991 para miratimit në vitin 2004 të Konventës së OKB-së (shih paragrafin 79 lart).
91. Nga ana tjetër, ICJ vërejti që një masë substanciale të praktikave shtetërore të cilat tregonin se e drejta ndërkombëtare zakonore nuk e trajtonte të drejtën e një Shteti për imunitet si e varur nga pesha e aktit për të cilin akuzohej ose nga natyra e pakundërshtueshme e rregullës të cilën akuzohet të ketë shkelur, duke cituar vendime të gjykatave kombëtare në Kanada, Francë, Slloveni, Zelandë të Re, Poloni dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo e dalloi vendimin Pinochet (Nr. 3) mbi bazën e faktit se çështja kishte të bënte me imunitetin e një ish-kryetari Shteti nga juridiksioni penal dhe jo me imunitetin e vetë Shtetit në procedura që kishin për qëllim përcaktimin e përgjegjësisë për dëmet civile. Më tej, gjykata përmendi vendimin e kësaj Gjykate në Al-Adsani, cituar lart, dhe vendimin vijues në Kalogeropoulou dhe të Tjerë kundër Greqisë dhe Gjermanisë (dec.), nr. 59021/00, ECHR 2002-X, i cili nuk kishte gjetur bazë të qëndrueshme për të konkluduar që, nën prizmin e të drejtës ndërkombëtare, një Shtet nuk gëzonte më imunitet nga paditë civile në rastet kur ngriheshin akuza për tortura.
92. Prandaj, ICJ arriti në përfundimin që sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore në formën që kishte ajo në kohën e vendimit, një Shtet nuk ishte i privuar nga imuniteti i tij për shkak të faktit se ai akuzohej për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut ose të drejtës ndërkombëtare mbi konfliktin e armatosur. Ajo vazhdoi:
“91. ... Me arritjen e atij përfundimi, Gjykata duhet të theksojë që po i adresohet vetëm imunitetit të vetë Shtetit nga juridiksioni i gjykatave të Shteteve të tjera; çështja nëse, e nëse po në ç’masë, imuniteti mund të zbatohej në procedurat penale kundër një zyrtari të Shtetit nuk është pikë diskutimi në rastin konkret.”
93. Duke iu kthyer shqyrtimit të marrëdhënies mes jus cogens dhe rregullës së imunitetit të Shtetit, gjykata gjeti që nuk ekzistonte konflikt. Dy grupet e rregullave adresonin çështje të ndryshme: rregullat e imunitetit të Shtetit ishin procedurale nga karakteri dhe ishin të kufizuara në përcaktimin nëse gjykatat e një Shteti mund të ushtronin juridiksion në lidhje me një Shtet tjetër; ato nuk analizuan nëse sjellja në lidhje me të cilën janë hapur procedura ishte e ligjshme apo e paligjshme. Më tej nuk kishte bazë për pohimin që një rregullë e cila nuk ishte e statusit jus cogens nuk mund të zbatohej nëse një gjë e tillë do të pengonte ekzekutimin e një rregulle jus cogens. Në këtë aspekt gjykata citoi, inter alia, vendimin e saj në çështjen e Urdhërarrestit (shih paragrafin 83 lart), vendimin e Dhomës së Lordëve në çështjen në fjalë dhe vendimin e kësaj Gjykate në Al-Adsani.
94. Së fundi, gjykata e refuzoi argumentin që imuniteti mund të mohohej aty ku kishin dështuar të gjitha përpjekjet e tjera për të siguruar dëmshpërblim. Ajo nuk gjeti bazë në praktikat e Shtetit për të konstatuar që e drejta ndërkombëtare e bënte të drejtën e një Shteti për imunitet të varur nga ekzistenca e mjeteve alternative efektive për të siguruar zgjidhje. Ajo më tej theksoi vështirësitë praktike që do të shfaqeshin për shkak të një përjashtimi të tillë.
4. Puna e Komisionit Ndërkombëtar të Ligjeve mbi imunitetin e zyrtarëve të Shtetit nga juridiksioni i huaj penal
95. Në vitin 2007, ILC vendosi të përfshinte temën “Imuniteti i zyrtarëve të Shtetit nga juridiksioni i huaj penal” në programin e tij të punës dhe caktoi Z. Kolodkin si Raportues i Posaçëm. Z. Kolodkin paraqiti tre raporte, në të cilat ai vendosi kufijtë brenda të cilëve duhet të merrej në shqyrtim tema, analizoi disa çështje substanciale në lidhje me imunitetin e zyrtarëve të Shtetit nga juridiksioni i huaj penal dhe mori në shqyrtim çështjet procedurale të lidhura me këtë lloj imuniteti. Raportet e tij u shqyrtuan nga ILC dhe nga Komiteti i Gjashtë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2008 dhe në vitin 2011. Më 22 maj 2012, Znj. Hernández u caktua Raportuese e Posaçme për të zëvendësuar Z. Kolodkin, i cili nuk ishte më anëtar i ILC-së. Znj. Hernández paraqiti një raport paraprak mbi imunitetin e zyrtarëve të Shtetit nga juridiksioni i huaj penal, të cilin ILC e mori në shqyrtim në vitin 2012. Ajo paraqiti një raport të dytë në vitin 2013.
96. Në raportin e tij të dytë, Z. Kolodkin shqyrtoi pikëpamjet e ndryshme në lidhje me imunitetin e zyrtarëve të Shtetit nga juridiksioni i huaj penal. Ai shpjegoi:
“18. Pavarësisht nga ekzistenca në doktrinë e një këndvështrimin të ndryshëm, njihet mjaft gjerësisht fakti që imuniteti nga juridiksioni i huaj është normë, d.m.th. rregulla e përgjithshme, gjendja normale e punëve, dhe mungesa e tij në raste të veçanta është përjashtimi nga kjo rregullë. Ajo që është e rëndësishme është se nëse një çështje ka të bëjë me zyrtarë të lartë, me zyrtarë të tjerë në detyrë ose me akte të ish-zyrtarëve të kryera kur ata nuk kanë qenë në detyrë, në cilësi zyrtare, atëherë ekzistimi i një çlirimi prej ose një përjashtimi nga kjo normë, d.m.th. mungesa e imunitetit, duhet të vërtetohet, dhe jo ekzistenca e kësaj norme e rrjedhimisht ekzistenca e imunitetit. Meqenëse imuniteti bazohet mbi të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, mungesa e tij ... mund të provohet ose me ekzistimin e një rregulle të veçantë, ose me ekzistimin e praktikës dhe opinio juris, duke treguar që ka pasur ose ka përjashtime nga rregulla e përgjithshme ...”
97. Në lidhje me çështjen e zbatueshmërisë së imunitetit rationae materiae për akte të paligjshme, ai tha:
“31. ... Pohimi që imuniteti nuk i përfshin këto akte e bën vetë idenë e imunitetit të pakuptimtë. Çështja e ushtrimit të juridiksionit penal mbi cilindo person, përfshirë një zyrtar të huaj, shfaqet vetëm kur ka dyshime që sjellja e tij është e paligjshme dhe, për më tepër, penalisht e dënueshme. Rrjedhimisht, pikërisht në një rast të tillë është i nevojshëm imuniteti nga juridiksioni i huaj penal ...”
98. Z. Kolodkin gjithashtu rishikoi debatin rreth mundësisë së një përjashtimi jus cogens, duke deklaruar:
“56. Nevoja për ekzistimin e përjashtimeve nga imuniteti shpjegohet, mbi të gjitha, nga kriteret për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga shkeljet në flagrante dhe në shkallë të gjerë dhe luftimi i pandëshkueshmërisë. Debati këtu ka të bëjë me nevojën për të mbrojtur interesat e komunitetit ndërkombëtar në tërësi dhe, rrjedhimisht, fakti që këto interesa, si dhe nevoja për të luftuar krime të rënda ndërkombëtare, më shpesh të kryera nga zyrtarë të Shtetit, diktojnë nevojën për t’u kërkuar atyre që të japin llogari për krimet e tyre në çdo Shtet që ka juridiksion. Nga ana tjetër, kjo kërkon që përjashtimet nga imuniteti i zyrtarëve prej juridiksionit të huaj penal të ekzistojnë.
Përjashtimet ... arsyetohen në mënyra të ndryshme. Arsyetueshmëria bazë përmblidhet si vijon. Së pari, siç u shënua më lart, ekziston pikëpamja që aktet e rënda penale të kryera nga një zyrtar nuk munden, sipas të drejtës ndërkombëtare, të konsiderohen si akte të kryera në cilësi zyrtare. Së dyti, konsiderohet që meqenëse një krim ndërkombëtar i kryer nga një zyrtar në cilësi zyrtare i atribohet jo vetëm Shtetit por edhe zyrtarit, atëherë ai nuk është i mbrojtur nga imuniteti rationae materiae në procedura penale. Së treti, theksohet që normat e pakundërshtueshme të së drejtës ndërkombëtare të cilat ndalojnë dhe kriminalizojnë akte të caktuara mbizotërojnë mbi normën që ka të bëjë me imunitetin dhe e bëjnë imunitetin të pavlefshëm kur zbatohen në rastet e krimeve të këtij lloji. Së katërti, është e deklaruar që në të drejtën ndërkombëtare ka dalë një normë e të drejtës ndërkombëtare zakonore, që ofron një përjashtim nga imuniteti rationae materiae në një çështje ku një zyrtar ka kryer krime të rënda sipas të drejtës ndërkombëtare. Së pesti, po bëhet lidhja mes ekzistencës së juridiksionit universal në lidhje me krimet më të rënda dhe pavlefshmërisë së imunitetit ashtu siç u zbatohet këtyre krimeve. Së gjashti, vihet re një lidhje e ngjashme mes detyrimit aut dedere aut judicare dhe pavlefshmërisë së imunitetit ashtu siç u zbatohet krimeve në lidhje me të cilat ekziston një detyrim i tillë.” (shënimet në fund të faqes janë hequr)
99. Ai vërejti që pikëpamja që krimet e rënda kundër të drejtës ndërkombëtare nuk mund të konsideroheshin si akte të kryera në cilësi zyrtare, e që prandaj imuniteti rationae materiae nuk mbronte nga juridiksioni i huaj penal që ushtrohej në lidhje me krime të tilla, ishte bërë mjaft e përhapur. Në raportin e saj paraprak, Znj. Hernández e përmblodhi diskutimin e ILC-së në lidhje me këtë pikë si vijon:
“35. Anëtarët e Komisionit gjithashtu shprehën pikëpamjet e tyre në lidhje me konceptin e një ‘akti zyrtar’ nga këndvështrimi i fushëveprimit të tij dhe marrëdhënies së tij me përgjegjësinë ndërkombëtare të Shteteve. Disa anëtarë konsideruan që çdo akt që kishte qenë, ose dukej të kishte qenë, kryer nga një ‘zyrtar’ duhet të përkufizohet si akt zyrtar për të cilin gëzohej imunitet. Megjithatë, anëtarë të tjerë mbështetën përkufizimin e kufizuar të një ‘akti zyrtar’, duke përjashtuar sjellje, për shembull, e cila mund të përbënte krim ndërkombëtar. Disa anëtarë ishin në favor të trajtimit të konceptit të një ‘akti zyrtar’ ndryshe varësisht nëse akti i atribuohej Shtetit në kontekstin e përgjegjësisë ose individëve në kontekstin e përgjegjësisë penale dhe imunitetit.”
100. Në raportin e saj të dytë, Znj. Hernández publikoi një grup të parë të Draft Neneve, ku mbuloheshin përkufizimet dhe fushëveprimi i imunitetit rationae personae në procedura penale. Një raport i tretë që mbulonte imunitetin rationae materiae në procedura penale, përfshirë diskutimin e konceptit të “akteve zyrtare” dhe Draft Neneve përkatëse, pritet të dorëzohet për shqyrtim në ILC në sesionin e tij të vitit 2014.
101. Të pesë raportet përqendrohen tek imuniteti i zyrtarëve të Shtetit nga juridiksioni i huaj penal, jo civil.
5. Rezoluta e Institutit të së Drejtës Ndërkombëtare e vitit 2009
102. Instituti i të Drejtës Ndërkombëtare është themeluar në vitin 1873 nga dijetarë të së drejtës ndërkombëtare dhe ka për qëllim promovimin e avancimit të së drejtës ndërkombëtare. Ai miraton rezolutat e natyrës normative të cilat sillen në vëmendje të autoriteteve qeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe komunitetit shkencor. Në këtë mënyrë, Instituti synon të nxjerrë në pah karakteristikat e të drejtës ekzistuese në mënyrë që të promovojë respektimin e saj. Nganjëherë ai bën përcaktime de lege ferenda (d.m.th. duke synuar të drejtën e ardhshme) për të kontribuar në zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare.
103. Në sesionin e tij të mbajtur në Napoli në vitin 2009, Instituti i të Drejtës Ndërkombëtare miratoi një rezolutë mbi imunitetin e Shtetit dhe zyrtarëve të Shtetit nga juridiksioni në rastet e krimeve ndërkombëtare. Neni I e përkufizon “juridiksionin” si i tillë që nënkupton juridiksion penal, civil dhe administrativ i gjykatave kombëtare; dhe “krimet ndërkombëtare” si të tilla që përfshijnë torturat.
104. Neni II i rezolutës cakton parimet. Ai shpjegon që në përputhje me marrëveshjet dhe me të drejtën ndërkombëtare zakonore, Shtetet kanë detyrimin që të parandalojnë dhe të shuajnë krimet ndërkombëtare; dhe që imunitetet nuk duhet të përbëjnë pengesë për kompensimin e duhur që u takon viktimave të krimeve të tilla. Ai i nxit Shtetet që të marrin në konsideratë heqjen e imunitetit aty ku ka akuza për kryerjen e krimeve ndërkombëtare nga agjentët e tyre.
105. Neni III i rezolutës, i titulluar “Imuniteti i personave që veprojnë në emër të një Shteti”, parashikon:
“1. Asnjë imunitet nga juridiksioni, përveç imunitetit personal në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, nuk zbatohet në lidhje me krime ndërkombëtare.
2. Kur pozitës ose misionit të personit që gëzon imunitet personal i ka ardhur fundi, ky imunitet personal pushon.
3. Dispozitat e mësipërme nuk paragjykojnë në lidhje me:
(a) përgjegjësinë sipas të drejtës ndërkombëtare të një personi të përmendur në paragrafët pararendës;
(b) atribuimin ndaj një Shteti të akteve nga çdo person i atillë që ka kryer një krim ndërkombëtar.”
106. Neni IV, i titulluar “Imuniteti i Shteteve”, parashikon:
“Dispozitat e mësipërme nuk paragjykojnë në lidhje me çështjen nëse dhe kur një Shtet gëzon imunitet nga juridiksioni para gjykatave kombëtare të një Shteti tjetër në procedura civile në lidhje me një krim ndërkombëtar të kryer nga një agjent i Shtetit të parë.”
C. Përgjegjësia Shtetërore
107. ILC shpalli Draft Nenet mbi Përgjegjësinë Shtetërore në vitin 2001. Neni 4 parashikon përgjegjësinë e Shtetit për sjelljen e organeve të tij:
“1. Sjellja e secilit organ të Shtetit konsiderohet akt i atij Shteti sipas të drejtës ndërkombëtare, pavarësisht nëse organi ushtron funksione legjislative, ekzekutive, gjyqësore apo të tjera, pavarësisht nga pozicioni që ka në organizimin e Shtetit, dhe pavarësisht nga karakteri i tij si organ i qeverisë qendrore apo i një njësie territoriale të Shtetit.
2. Një organ përfshin çdo person apo entitet i cili e ka atë status në përputhje me të drejtën e brendshme të Shtetit.”
108. Sipas nenit 5, sjellja e një personi apo entiteti i cili nuk është organ i Shtetit sipas nenit 4 por i cili është “i autorizuar nga e drejta e atij Shteti për të ushtruar elementet e autoritetit qeveritar” konsiderohet akt i Shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare, nëse personi apo entiteti është “duke vepruar në atë cilësi” në rastin në fjalë. Neni 7 parashikon që aktet e agjentëve të Shtetit që tejkalojnë autoritetin ose shkojnë kundër udhëzimeve konsiderohen akte të Shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare.
109. Së fundi, neni 58 sqaron qëndrimin në lidhje me përgjegjësinë individuale të njëkohshme:
“Këto nene nuk paragjykojnë asnjë çështje të përgjegjësisë individuale sipas të drejtës ndërkombëtare të secilit person që vepron në emër të një Shteti.”
IV. MATERIALET RELEVANTE TË SË DREJTËS KRAHASUESE
110. Qeveria përgjegjëse kërkoi komente rreth shkallës së imunitetit të Shtetit të parashikuar nga e drejta kombëtare prej Shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. U morën njëzet e një përgjigje (Shqipëria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Lituania, “ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rusia, Suedia, Zvicra; dhe Turqia). Përgjigjet treguan që pak Shteteve u ishte dashur të përballeshin në praktikë me problemin e veçantë të faktit nëse kishte, sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore, imunitet në procedurat civile për tortura. Askush nuk e kishte marrë në konsideratë situatën e veçantë të zyrtarëve të Shtetit. Prandaj përgjigjet ishin më tepër hipotetike dhe analitike sesa të bazuara në prova. Çështja e juridiksionit po ashtu u ngrit në disa përgjigje: disa Shtete konfirmuan që gjykatat e tyre nuk do të kishin juridiksion në një çështje që kishte të bënte me torturat e kryera nga shtetas të palëve të treta; për pasojë, çështja nëse do të kishte imunitet për zyrtarët përgjegjës të Shtetit nuk do të dilte në praktikë.
111. Qeveria përgjegjëse, kërkuesit dhe ndërhyrësit e palës së tretë gjithashtu paraqitën materiale të tjera krahasuese ku tregohej e drejta dhe praktika e disa Shteteve në botë. Të shumtë ishin ata që kishin hartuar legjislacion për të qeverisur imunitetin e Shtetit dhe disa gjykata kombëtare kishin lëshuar vendime në kontekstin e çështjeve civile dhe penale kundër zyrtarëve të Shtetit. Shqyrtimi i mëposhtëm i legjislacionit dhe praktikës gjyqësore kombëtare përqendrohet kryesisht tek çështjet civile dhe nuk është shteruese.
A. Pretendimet civile për akuzat për tortura
1. Shtetet e Bashkuara
(a) Juridiksioni
112. Statuti i Shteteve të Bashkuara për Dëmet Jashtëkontraktore të të Huajve i vitit 1789 (“Statuti i vitit 1789”) vendosi juridiksion federal mbi të gjitha çështjet ku një i huaj ngrinte padi në lidhje me një dëm të kryer në shkelje të ligjit të kombeve ose një marrëveshjeje të Shteteve të Bashkuara.
113. Në Filartiga kundër Pena-Irala (1980) 630 F 2d 876, Gjykata e Apelit (Qarku i Dytë) gjeti që Statuti i vitit 1789 lejonte juridiksion në lidhje me një pretendim kundër një zyrtari policor në Paraguai për tortura. Duket se çështja e imunitetit të Shtetit nuk ishte ngritur para gjykatës, megjithëse i pandehuri u përpoq të argumentonte gjatë apelit se nëse sjellja e ankimuar supozohej të ishte akt i Qeverisë së Paraguait, padia ishte e ndaluar nga akti i doktrinës së Shtetit. Në përgjigje, gjykata u shpreh:
“Ky argument nuk u paraqit më poshtë, dhe prandaj nuk ndodhet para nesh në këtë apel. Megjithatë, kalimthi shënojmë se dyshojmë nëse veprimi nga një zyrtar Shteti në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Paraguait, dhe tërësisht i paratifikuar nga qeveria e atij kombi, mund të karakterizohej në mënyrë të përshtatshme si akt Shteti ... Megjithatë, mospranimi nga Paraguaji i torturës si instrument legjitim i politikës së Shtetit nuk ia heq keqbërjes karakterin e saj si shkelje e të drejtës ndërkombëtare, nëse vërtet ka ndodhur nën ombrellën e autoritetit të qeverisë ...”
114. Pas atij vendimi, u miratua Ligji për Mbrojtjen e Viktimave të Torturës i vitit 1991 për të kodifikuar shkakun e veprimit të njohur në çështjen Filartiga dhe për ta shtrirë atë tek shtetasit e SHBA-ve. Ai parashikon në seksionin 2(a)(1) që “një individ i cili, në kuadër të një autoriteti faktik ose të dukshëm, apo nën ombrellën e ligjit, ose të një kombi të huaj ... nënshtron një individ ndaj torturave, do të jetë përgjegjës në procedura civile për dëme ndaj atij individi.”
115. Në Sosa kundër Alvarez-Machain 542 U.S. 692 (2004) Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara shqyrtoi një pretendim të ngritur sipas Statutit të vitit 1789 inter alia kundër një shtetasi meksikan për rrëmbim, që supozohej se kishte ndodhur në emër të Qeverisë së SHBA-ve. Gjykata e refuzoi pretendimin e paditësit sepse konsideroi që nuk kishte mbështetje për pohimin që rrëmbimi përbënte “shkelje të së drejtës së kombeve” dhe kështu nuk kishte juridiksion në këtë çështje. Pika e imunitetit të Shtetit nuk u ngrit, por në mendimin e tij paralel, Gjyqtari Breyer konsideroi nëse ushtrimi i juridiksionit sipas Statutit të vitit 1789 ishte në pajtim me parimin e sjelljes së njerëzishme ndërkombëtare. Ai vërejti:
“Sot e drejta ndërkombëtare nganjëherë pasqyron në mënyrë të ngjashme jo vetëm marrëveshjen substanciale në lidhje me sjellje të caktuara universalisht të dënuara por edhe marrëveshjen procedurale që juridiksioni universal ekziston për të ndjekur penalisht një nën-ndarje të asaj sjelljeje ... Ajo nën-ndarje përfshin torturën, gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, dhe krimet e luftës.
...
Fakti që ekziston ky konsensus procedural sugjeron që njohja e juridiksionit universal në lidhje me një grup të kufizuar normash është në pajtim me parimet e sjelljes së njerëzishme ndërkombëtare. Pra, duke lejuar gjykatat e secilit komb të gjykojnë sjelljen e huaj që përfshin palë të huaja në raste të tilla nuk do të kërcënojë në mënyrë domethënëse harmoninë praktike që synojnë të mbrojnë parimet e sjelljes së njerëzishme. Ai konsensus ka të bëjë me juridiksionin penal, por konsensusi i lidhur me juridiksionin penal ndërkombëtar në vetvete sugjeron që juridiksioni ndërkombëtar mbi keqbërjet nuk do të ishte më kërcënues ... Kjo është sepse gjykatat penale të shumë kombeve kombinojnë procedura civile dhe penale, duke lejuar që të prekurit nga sjellja kriminale të përfaqësohen, dhe të marrin dëmshpërblim, gjatë vetë procedurave penale ... Kështu, juridiksioni kriminal universal domosdoshmërisht konsideron një shkallë domethënëse të restaurimit të keqbërjes civile gjithashtu.” (referencat janë hequr)
(b) Imunitetet
(i) Imuniteti për Shtetin
116. Ligji për Imunitetet e Huaja Sovrane i vitit 1976 (“FSIA”) përcakton shkallën deri ku Shtetet e huaja mund të paditen në gjykatat e Shteteve të Bashkuara. Për të përfituar nga imuniteti, një i pandehur duhet të vërtetojë që bëhet fjalë për një “Shtet të huaj” brenda kuptimit të ligjit. Termi “Shtet i huaj” përkufizohet si i tillë që përfshin nën-ndarje, agjenci dhe instrumentalitete politike të Shteteve të huaja.
117. Në disa çështje, Gjykata e Apelit arriti në përfundimin që FSIA nuk përfshinte një përjashtim të nënkuptuar nga dhënia e përgjithshme prej saj të imunitetit sovran ku një Shtet i huaj akuzohej për shkelje të normave jus cogens (shih Siderman de Blake kundër Argjentinës (1992) 965 F.2d 699 (Qarku i Nëntë); Princz kundër Gjermanisë (1994) 26 F.3d 1166 (Qarku D.C.); dhe Smith kundër Libisë (1997) 101 F.3d 239 (Qarku i Dytë); dhe Sampson kundër Gjermanisë (2001) 250 F.3d 1145 (Qarku i Shtatë)).
(ii) Imuniteti ratione personae për zyrtarët e lartë të Shtetit
118. Në Ye kundër Zemin (2004) 383 F.3d 620 (Qarku i Shtatë), Kërkuesit apeluan kundër gjetjes së Gjykatës së Qarkut që Presidenti i atëhershëm në detyrë në Kinë kishte përfituar nga imuniteti rationae personae, mbi bazën e një konstatimi për atë qëllim nga ekzekutivi, në një padi civile ku supozoheshin shkelje të normave jus cogens. Ata argumentuan që ekzekutivi nuk kishte pushtet, sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore, që të propozonte imunitet në rast shkeljeje të normave jus cogens. Gjykata e Apelit shënoi që FSIA nuk qeveriste çështjen e imunitetit për kryetarët e huaj të Shtetit dhe që praktika e përgjithshme ishte që të pranohej konstatimi i ekzekutivit në raste të tilla. Ajo iu referuar gjetjes së saj në çështjen Sampson (shih paragrafin 117 lart) që nuk kishte përjashtim jus cogens në FSIA, dhe konkludoi që ashtu si vendimi i ligjvënësit për të dhënë imunitet nuk mund të kundërshtohej në gjykatë, po kështu nuk mund të kundërshtohej as vendimi i ekzekutivit për të vepruar në të njëjtën mënyrë. Ajo iu referua pasojave domethënëse të një vendimi për dhënien e imunitetit në marrëdhëniet e Shtetit me kombet e tjera.
(iii) Imuniteti ratione materiae për zyrtarë të tjerë të Shtetit
119. Në Chuidian kundër Philippine National Bank dhe Daza (1990) 912 F.2d 1095, Gjykata e Apelit (Qarku i Nëntë) gjeti që termi “Shtet i huaj” aty ku shfaqej në FSIA mbulonte një individ i cili ishte anëtar i një agjencie ekzekutive të Shtetit. Megjithatë, ajo pranoi që FSIA nuk do të mbronte një zyrtar që vepronte përtej fushëveprimit të autoritetit të tij. Mbi këtë bazë, Gjykatat Federale të Qarkut të Shteteve të Bashkuara rrjedhimisht refuzuan t’i jepnin imunitet zyrtarëve të Shtetit në Xuncax kundër Gramajo (1995) 886 F. Supp 162 (një pretendim kundër një zyrtari të lartë ushtarak të Guatemalës dhe ministrit të mbrojtjes për akte torturash) dhe Cabiri kundër Assasie-Gyimah (1996) 921 F. Supp. 1189 (S.D.N.Y.) (pretendim kundër një këshilltari të sigurisë në Gana për tortura). Gjykatat komentuan, respektivisht, që aktet në Xuncax “tejkalo[nin] gjithçka që mund të konsiderohej të kishte qenë ligjërisht brenda fushëveprimit të autoritetit zyrtar të Gramajo” dhe që i pandehuri në Cabiri nuk kishte pretenduar që aktet e torturave hynin brenda fushëveprimit të autoritetit të tij dhe nuk kishte argumentuar që akte të tilla nuk ishin të ndaluara nga ligjet e Ganës, dhe as që do të mundej të argumentonte në këtë mënyrë.
120. Në Belhas kundër Ya’alon (2008) 515 F.3d 1279 (Qarku D.C.), apeluesit argumentuan që i pandehuri kishte kryer shkelje të normave jus cogens gjatë detyrave të tij si kryetar i inteligjencës ushtarake. Gjykata e Apelit gjeti që FSIA zbatohej dhe që nuk kishte përjashtime të parenditura nga FSIA (duke iu referuar vendimit të saj në Princz, shih paragrafin 117 lart). Prandaj i pandehuri përfitonte nga imuniteti i Shtetit.
121. Në Matar kundër Dichter (2009) 563 F.3d 6 (Qarku i Dytë), apeluesi ngriti një pretendim kundër një ish-kryetari të Agjencisë Izraelite të Inteligjencës i cili akuzohej për shkelje të normave jus cogens. Ekzekutivi konstatoi që imuniteti rationae materiae zbatohej. Gjykata e Apelit u shpreh që edhe nëse FSIA nuk zbatohej për shkak se i pandehuri ishte ish-zyrtar, e jo zyrtar në detyrë, ai do të ishte imun sipas të drejtës zakonore. Ajo shënoi që para miratimit të FSIA-s gjykatat i lëshonin rrugë ekzekutivit në lidhje me çështjen nëse të njihej imuniteti i sovranëve të huaj dhe instrumentaliteteve të tyre sipas të drejtës zakonore. Këto parime i kishin mbijetuar miratimit të FSIA-s. Për sa i përket ekzistencës së një përjashtimi jus cogens, gjykata iu referua gjetjes së saj në Smith (shih paragrafin 117 lart) që nuk kishte përjashtim të tillë nga FSIA dhe nga gjetja në Ye (shih paragrafin 118 lart) që nuk kishte përjashtim të tillë në lidhje me imunitetin e udhëheqësve të huaj në kontekstin e të drejtës zakonore. Ajo përfundoi që pretendimi këtu dështonte ngjajshëm.
122. Në Samantar kundër Yousuf (2010) 130 S. Ct. 2278, Gjykata Supreme njëzëri u shpreh se zyrtarët e Shteteve të huaja nuk mbuloheshin nga FSIA dhe që imunitetet e tyre qeveriseshin nga e drejta zakonore. Prandaj, ajo delegoi në gjykatat më të ulëta çështjen nëse zyrtarët e Shteteve të huaja mund të mbështeteshin sidoqoftë mbi ndonjë imunitet të së drejtës zakonore. Para Gjykatës së Qarkut dhe pas kësaj para Gjykatës së Apelit, Z. Samanter argumentoi që ai gëzonte imunitet si kryetar Shteti dhe si zyrtar i huaj sipas të drejtës zakonore. Më 2 nëntor 2012 Gjykata e Apelit gjeti që ai nuk gëzonte imunitet nga e drejta zakonore në lidhje me pretendimet civile me akuza për tortura (699 F. 3d 763 (Qarku i Katërt)). Së pari, ajo u shpreh që gjykatave u kërkohej të lëshonin udhë para shqiptimeve nga ekzekutivi në lidhje me faktin nëse një person gëzonte imunitet të kryetarit të Shtetit (rationae personae); këtu ekzekutivi kishte gjetur që Z. Samanter nuk i takonte një imunitet i tillë. Së dyti, në lidhje me çështjen e imunitetit të zyrtarit të huaj (rationae materiae), Gjykata e Apelit tha:
“Ndryshe nga aktet private që nuk hyjnë brenda fushëveprimit të imunitetit të zyrtarit të huaj, shkeljet e jus cogens mund të kryhen nën ombrellën e ligjit dhe, në atë kuptim, përbëjnë akte të kryera në vazhdën e punësimit të zyrtarit të huaj nga Sovrani. Megjithatë, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe vendase, shkeljet e jus cogens janë, sipas përkufizimit, akte të cilat nuk autorizohen zyrtarisht nga Sovrani.”
123. Ajo vërejti që kishte një tendencë në rritje në të drejtën ndërkombëtare për të hequr imunitetin e zyrtarit të huaj për individë që kryenin akte, përndryshe atribuuar Shtetit, të cilat shkelnin normat jus cogens. Ajo konsideroi që kishte disa vendime nga gjykatat e huaja kombëtare të cilat kishin pasqyruar vullnetin për të mohuar imunitetin e aktit zyrtar në kontekst kriminal për shkelje të pretenduara të jus cogens, duke cituar Pinochet (Nr. 3) (shih paragrafët 44-56 lart) në mënyrë të veçantë. Ajo vazhdoi:
“... Disa gjykata të huaja kombëtare e kanë shpuar perden e imunitetit të akteve zyrtare ndaj dëgjimit të pretendimeve civile që akuzojnë për shkelje të jus cogens, por përjashtimi jus cogens duket të jetë më pak i ngulitur në kontekstin civil. Krahaso Ferrini kundër Gjermanisë ... me Jones kundër Arabisë Saudite ...”
124. Gjykata gjeti:
“Gjykatat amerikane përgjithësisht kanë ndjekur tendencën paraprirëse, duke arritur në përfundimin që shkeljet jus cogens nuk janë akte legjitime zyrtare e prandaj nuk meritojnë imunitet të huaj zyrtar por duke njohur sidoqoftë faktin që imuniteti i kryetarit të Shtetit, për shkak të statusit, është i një natyre absolute dhe zbatohet edhe kundër pretendimeve të jus cogens ... Ne konkludojmë që, sipas të drejtës ndërkombëtare dhe vendase, zyrtarët nga vendet e tjera nuk kanë të drejtë të kenë imunitet të huaj zyrtar për shkeljet jus cogens, edhe nëse aktet kryhen në cilësinë zyrtare të të pandehurit.”
125. Paditësi ka dorëzuar një peticion në Gjykatën Supreme për rivlerësim të vendimit të instancës më të ulët. Peticioni është ende në pritje.
2. Kanadaja
126. Ligji për Imunitetin e Shtetit i vitit 1985 (“SIA”) përcakton shkallën deri ku Shtetet e huaja mund të paditen në gjykatat kanadeze. Ai është i hartuar në të njëjtat kushte si legjislacioni i SHBA-ve. Në mënyrë të veçantë, për të përfituar nga imuniteti, një i pandehur duhet të vërtetojë që është “Shtet i huaj” brenda kuptimit të aktit dhe termi “Shtet i huaj” përfshin çdo sovran ose kryetar tjetër shteti të huaj, çdo qeveri të Shtetit të huaj ose çdo nën-ndarje politike shteti të huaj, përfshirë secilin prej departamenteve të tij, dhe çdo agjenci shteti të huaj.
127. Në Jaffe kundër Miller 5 O.R. (2d) 133 Gjykata e Apelit e Ontarios u shpreh që punonjësit e një Shteti të huaj që vepronin në kuadër të detyrave të tyre ishin të mbuluar nga nocioni i “Shtetit” në SIA e rrjedhimisht gëzonin imunitet. Fakti që aktet e vëna në diskutim supozohet të kenë qenë të një natyre të paligjshme dhe keqdashëse nuk i nxirrte ata jashtë fushëveprimit të imunitetit të Shtetit.
128. Në Bouzari kundër Republikës Islamike të Iranit (2004) 71 OR (3d) 675, paditësi ngriti padi kundër Iranit për dëme të shkaktuara nga torturat që kishte vuajtur të cilat ishin kryer në një burg iranian. Gjykata e Apelit e Ontarios mbështeti gjetjen e gjykatës më të ulët që pretendimi ishte i penguar nga SIA. Gjykata gjeti që neni 14 i Konventës kundër Torturës (shih paragrafin 63 lart) nuk përfshinte ofrimin e të drejtës së një zgjidhjeje civile kundër një Shteti të huaj për tortura të kryera jashtë vendit. E njëjta gjë vlente për të drejtën ndërkombëtare zakonore: pavarësisht nga natyra jus cogens e ndalimit të torturës, nuk ekzistonin përjashtime nga parimi i imunitetit të Shtetit në lidhje me torturën.
129. Në Hashemi kundër Republikës Islamike të Iranit dhe të Tjerë, paditësi ishte biri i një shtetaseje të dyfishtë iraniane dhe kanadeze, e cila ishte torturuar në Iran dhe kishte vdekur si pasojë e lëndimeve të saj. Ai u përpoq të ngrinte padi civile kundër Iranit, Ayatollah Sayyid Ali Khamenei dhe dy zyrtarëve që ai i dha me emra të cilët kishin marrë pjesë në torturimin e nënës së tij. Kërkesa e tij u rrëzua në shkallën e parë mbi bazën e faktit që Shteti i Iranit, kryetari i tij i Shtetit dhe dy zyrtarët të gjithë gëzonin imunitet Shteti sipas SIA-s.
130. Më 15 gusht 2012 Gjykata e Apelit e Kebekut (Quebec) mbështeti vendimin e shkallës së parë ((2012) QCCA 1449). Gjyqtari shqyrtoi vendimin e ICJ-së në Gjermania kundër Italisë (shih paragrafët 88-94 lart) dhe pranoi mbi bazën e gjetjeve të ICJ-së që imuniteti i Shtetit mund të zbatohej edhe në rastet që përfshinin akte të torturave. Më tej ai gjeti që në Kanada, ndryshe prej Shteteve të Bashkuara, legjislacioni ishte kodifikim i plotë i të drejtës mbi imunitetin e Shtetit.
131. Për sa i përket faktit nëse imuniteti i Shtetit gjithashtu gëzohej edhe nga dy zyrtarët sipas SIA-s, gjyqtari tha:
“[93] Nën dritën ... e disa autoriteteve që të bindin nga juridiksione të tjera, unë jam bindur që gjyqtari i mocionit ka pasur të drejtë në vendimin që SIA zbatohet tek agjentët individualë të një Shteti të huaj. Tashmë, kjo çështje është shqyrtuar tërësisht ... në Jaffe, e vendosur nga Gjykata e Apelit për Ontario në vitin 1993. Në Jones, e vendosur trembëdhjetë vite më vonë, Dhoma e Lordëve ktheu mbrapsht një vendim Gjykatës së Apelit të Anglisë e cila kishte përdorur linjën argumentuese të përpunuar nga paditësit në këtë rast ...”
132. Në lidhje me argumentin që veprimet e zyrtarëve, nga natyra, i parandalonin ata nga pretendimi i përfitimit të imunitetit të Shtetit, gjyqtari tha:
“[94] Unë besoj, sërish, që kjo pikë tashmë është e vendosur me themel nga autoritetet përkatëse, më i fundit prej të cilëve është, edhe një herë, çështja Jones.”
133. Ai konsideroi që argumenti ishte identik me atë që ishte ngritur më parë në Jaffe dhe që nuk përputhej me nocionin e torturës siç ishte i përkufizuar në instrumente të ndryshme ligjore përfshirë Konventën kundër Torturës. Ai arriti në përfundimin që mendimi i Lordit Hoffmann në Dhomën e Lordëve në çështjen e kërkuesve ofronte një përgënjeshtrim të plotë dhe bindës të argumentit që trajtimi i diskutuar ishte “kaq i paligjshëm saqë duhet të mbetet jashtë fushëveprimit të aktivitetit zyrtar”.
134. Leja për të apeluar para Gjykatës Supreme është dhënë dhe seanca dëgjimore pritet të mbahet në mars 2014.
3. Zelanda e Re
135. Më 21 dhjetor 2006 Gjykata e Lartë dorëzoi vendimin në Fang kundër Jiang [(2007] NZAR 420). Paditësit kishin kërkuar leje për të hapur procedura duke pretenduar, inter alia, tortura, kundër ish-anëtarëve të Qeverisë kineze. Ata diskutuan që imuniteti i Shtetit nuk i mbronte zyrtarët nga pretendimet civile në lidhje me torturën. Gjykata iu referua gjerësisht vendimit të Dhomës së Lordëve në çështjen konkrete dhe instrumenteve përkatëse ndërkombëtare. Ajo vendosi që imuniteti i Shtetit rastësisht u akordonte imunitet rationae materiale individëve përfshirë ish-kryetarëve të Shtetit dhe çdokujt tjetër sjellja e të cilit gjatë ushtrimit të autoritetit të Shtetit vihej në pikëpyetje më vonë. Nuk kishte përjashtime nga imuniteti i Shtetit në pretendimet kundër individëve për tortura sepse Konventa kundër Torturës krijonte një përjashtim vetëm për çështjet penale; Konventa e OKB-së mbi Imunitetet Juridiksionale nuk përmbante përjashtim për torturën; dhe e drejta zakonore e Zelandës së Re pasqyronte të drejtën ndërkombëtare. Gjykata konkludoi:
“71. Mund të ketë raste kur Gjykatat e Zelandës së Re marrin rol udhëheqës në njohjen e tendencave të reja në të drejtën ndërkombëtare por ... unë jam i bindur që do të ishte tërësisht pa vend që Zelanda e Re të miratonte një qasje e cila dallon prej asaj të konstatuar së fundi në Dhomën e Lordëve pas një rishikimi të gjerë të burimeve tradicionale të së drejtës ndërkombëtare ...
72. Njëkohësisht nuk jam i bindur që do të ishte e udhës të bëhej distancimi nga arsyetimi bindës i Dhomës së Lordëve në Jones, çështje të cilën unë e konsideroj si shembull konkret i kësaj.”
136. Prandaj leja për t’i dorëzuar padinë palës u refuzua.
4. Australia
137. Ligji për Imunitetet e Shteteve të Huaja i vitit 1985 (“Ligji i Imuniteteve”) përcakton masën deri ku Shtetet e huaja mund të paditen në gjykatat australiane. Seksioni 9 i Ligjit të Imuniteteve parashikon imunitet nga juridiksioni dhe seksionet 10-20 parashikojnë përjashtime nga seksioni 9. Për të përfituar nga imuniteti, një i pandehur duhet të vërtetojë që është “Shtet i huaj” brenda kuptimit të ligjit. Seksioni 3(3) qartëson se termi “Shtet i huaj” përfshin kryetarin e një Shteti të huaj ose të një nën-ndarjeje të një Shteti të huaj në cilësinë e tij zyrtare; dhe qeverinë ekzekutive ose një pjesë të qeverisë ekzekutive të një Shteti të huaj ose të një nën-ndarjeje politike të një Shteti të huaj.
138. Më 5 tetor 2010 Gjykata e Apelit e New South Wales dorëzoi vendimin e saj në Zhang kundër Zemin ([2010] NSWCA 255), një pretendim civil për tortura i ngritur kundër ish-Presidentit të Kinës, një departamenti të qeverisë kineze dhe një anëtari të politbyrosë së Partisë Komuniste të Kinës. Aty thuhej që oficerët individualë ishin të mbuluar nga Ligji i Imuniteteve, duke shënuar që atyre u takonte imuniteti në të drejtën zakonore dhe që Ligji i Imuniteteve nuk e ndryshonte të drejtën zakonore në këtë aspekt. Meqenëse qëllimet e Ligjit të Imuniteteve nuk do të arriheshin nëse pretendimet civile mund të ngriheshin kundër ish-zyrtarëve në lidhje me sjelljen e tyre gjatë kohës që ishin në detyrë, Ligji u zbatohej edhe ish-zyrtarëve.
139. Në lidhje me pretendimin e kërkuesve që ekzistonte një përjashtim jus cogens sipas të drejtës ndërkombëtare, përfshirë argumentin që aktet në shkelje të jus cogens nuk mund të kryheshin publikisht ose në cilësi zyrtare për qëllime të imunitetit, gjykata shpjegoi që gjykatat australiane ishin të detyruara të zbatonin statutet lokale edhe aty ku këto binin ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Ligji i Imuniteteve përcaktonte qartë deklarimin e përkufizimit të imunitetit të dhënë dhe deklarimin gjithëpërfshirës të përjashtimeve. Nuk ishte e mundur të dëshmohej që kishte përjashtime shtesë nga e drejta ndërkombëtare.
5. Italia
140. Në Ferrini kundër Republikës Federale të Gjermanisë (Vendimi Nr. 5044/2004, ILR Vol. 128, fq. 658), Gjykata italiane e Kasacionit lejoi ngritjen e një pretendimi civil kundër Gjermanisë në lidhje me krimet e luftës të kryera në vitet 1944-45 dhe refuzoi imunitetin si pengesë për pretendimin. Gjykata gjeti që parimet e imunitetit të Shtetit duhet të interpretoheshin në pajtim me vlerat universale të mishëruara në krimet ndërkombëtare dhe normat jus cogens. Vendimi i kësaj Gjykate në Al-Adsani dallonte mbi bazën e faktit që në Ferrini krimet supozohej të ishin kryer në territorin italian. Gjykatat italiane shqiptuan po ashtu vendime të tjera të ngjashme.
141. Më 23 dhjetor 2008 Gjermania filloi procedurat para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duke pretenduar që vendimi i Ferrini, vendimet për themelin që e mbështesnin atë dhe masat e ndryshme ekzekutuese kundër pronave gjermane në Itali nuk kishin respektuar imunitetin juridiksional gjerman sipas të drejtës ndërkombëtare. Në vitin 2012 u shpall vendimi në favor të Gjermanisë (shih paragrafët 88-94 lart).
6. Greqia
142. Gjykata Supreme e Greqisë (Areios Pagos) në Prefektura e Voiotia kundër Gjermanisë, Nr. 11/2000, 4 maj 2000, gjeti që në çështjet që kishin të bënin me shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare, Shteti nuk gëzonte imunitet nga paditë civile.
143. Më vonë Gjykata Supreme refuzoi të zbatonte vendimin kundër Gjermanisë mbi bazën e faktit që Gjermania gëzonte imunitet Shteti. Ajo iu referua, inter alia, vendimit të kësaj Gjykate në Al-Adsani. Vendimi i Gjykatës Supreme i kontestua para kësaj Gjykate por ankesa u deklarua papranueshme në Kalogeropoulou, cituar lart.
7. Polonia
144. Në Natoniewski kundër Gjermanisë (Ref. No. IV CSK 465/09, 29 tetor 2010, përkthyer në anglisht në [2010] Librin Vjetor Polak të së Drejtës Ndërkombëtare 299), kërkuesi nisi procedura civile në lidhje me lëndime të pësuara për shkak të veprimeve të forcave të armatosura gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjykata Supreme e Polonisë e rrëzoi pretendimin mbi bazën e faktit që Gjermania gëzonte imunitet Shteti. Gjykata shpjegoi:
“Specificiteti i kauzave të konflikteve të armatosura sugjeron zbatueshmërinë e imunitetit të Shtetit për veprimet që lindin gjatë këtyre konflikteve. Konfliktet e armatosura – me viktima të shumta dhe me një shkallë të stërmadhe shkatërrimi dhe vuajtjesh – nuk mund të reduktohet në marrëdhënien mes shtetit/kryesit dhe personit të lënduar; konfliktet ekzistojnë kryesisht mes shteteve. Tradicionalisht, pretendimet pronësore që dalin nga ngjarjet e luftës zgjidhen me anë të traktateve të paqes, të cilat synojnë – në nivel ndërkombëtar dhe individual – të rregullojnë pasojat e luftës. Në raste të tilla, imuniteti juridiksional i ofron të drejtës ndërkombëtare mjete për rregullimin e pretendimeve pronësore që rezultojnë nga ngjarjet e luftës. Heqja nga juridiksioni i gjykatës i një game të tërë të pretendimeve civile (të shkaktuara nga lufta) është hartuar për t’iu kundërpërgjigjur situatës, kur normalizimi i marrëdhënieve mes shteteve mund të përballet me pengesa si pasojë e numrit të madh të procedurave të nisura nga individët ...”
145. Për sa i përket argumentit që imuniteti i Shtetit nuk zbatohej aty ku ka pasur shkelje të pretenduara të normave jus cogens, gjykata tha:
“... Duket se ka një tendencë në të drejtën ndërkombëtare dhe vendase që shkon drejt kufizimit të imunitetit të Shtetit në lidhje me abuzimet e të drejtave të njeriut, por kjo praktikë nuk është në asnjë mënyrë universale.”
146. Në lidhje me përputhshmërinë e dhënies së imunitetit të Shtetit me nenin 6 § 1, gjykata tha:
“Sipas praktikës së vendosur gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ky përjashtim nuk shkel të drejtën për t’u drejtuar në gjykatat vendase e garantuar me nenin 6 § 1 ... Nuk mund të thuhet që imuniteti i Shtetit imponon një kufizim jo proporcional mbi të drejtën e të drejtuarit në gjykatë, kur kërkuesit kanë në dispozicion mjete të arsyeshme alternative për të mbrojtur të drejtat e tyre në mënyrë efektive (shih vendimin e GJEDNJ-së të 18 shkurtit 1999 në çështjen Waite dhe Kennedy kundër Gjermanisë).”
8. Franca
147. Në Bucheron kundër Gjermanisë, kërkuesi paraqiti një pretendim civil në tribunalin e punësimit kinse për punë të detyruara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pretendimi i tij u rrëzua mbi bazën e faktit që Gjermania gëzonte imunitet. Në vitin 2003, Gjykata e Kasacionit mbështeti rrëzimin e pretendimit (Nr. 02‑45961, 16 dhjetor 2003). I njëjti rezultat u arrit nga Gjykata e Kasacionit në Grosz kundër Gjermanisë (Nr. 04-475040, 3 janar 2006) në një vendim të mbështetur më vonë nga kjo Gjykatë në Grosz kundër Francës (dec.), Nr. 14717/06, 16 qershor 2009.
9. Sllovenia
148. Në A.A. kundër Gjermanisë (Nr. IP-13/99, 8 mars 2001), Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë rrëzoi një pretendim civil të ngritur në lidhje me veprimet e Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kërkuesi kishte argumentuar që, sipas të drejtës ndërkombëtare, kishte një përjashtim jus cogens prej rregullave mbi imunitetin e Shtetit. Gjykata pranoi që kishte prova të një tendence në zhvillimet e ardhshme të së drejtës ndërkombëtare drejt kufizimit të imunitetit të Shtetit para gjykatave të huaja në rastet e pretendimeve për shkelje të supozuara të të drejtave të njeriut. Megjithatë, provat nuk tregonin praktikë të përgjithshme shtetërore të njohur si ligj e rrjedhimisht të krijimit të një rregulle të tillë të së drejtës ndërkombëtare zakonore.
149. Për sa i përket ankesës specifike sipas nenit 6 § 1 të Konventës, gjykata iu referua vendimit të kësaj Gjykate në Waite dhe Kennedy kundër Gjermanisë [GC], nr. 26083/94, ECHR 1999‑I. Ajo konkludoi që kufizimi i të drejtës së kërkuesit për t’u drejtuar në gjykatë ndiqte një qëllim legjitim dhe ishte proporcional, duke iu referuar mundësisë së kërkuesit për të nisur pretendim civil në Gjermani.
B. Ndjekjet penale për tortura
1. Franca
150. Në çështjen penale të Ould Dah i pandehuri, zyrtar i Shtetit të Mauritanisë, u ndoq penalisht dhe përfundimisht u dënua nga një gjykatë penale franceze e shkallës së parë (Assize Court) për akte të torturave të kryera në Mauritani. Më pas apeli në lidhje me pikat konkrete në ligj u refuzua (Nr. 02-85379, 23 tetor 2002). Më 1 korrik 2005 e njëta gjykatë caktoi dëmshpërblime për palë të ndryshme civile në çështje. Një rezultat i ngjashëm u arrit në çështjen penale vijuese të Khaled Ben Saïd.
2. Holanda
151. Në çështjen Bouterse, Z. Bouterse pretendoi imunitet nga ndjekja penale mbi bazën e faktit që aktet e pretenduara të torturave ishin kryer gjatë kohës që ai ishte kryetar Shteti në Suriname. Më 20 nëntor 2000 Gjykata e Apelit e Amsterdamit refuzoi të jepte imunitetin mbi bazën e faktit që kryerja e veprave shumë të rënda, siç ishte rasti konkret këtu, nuk mund të konsiderohej të ishte një prej detyrave zyrtare të një kryetari Shteti.
3. Zvicra
152. Në një vendim të 25 korrikut 2012 në A. kundër Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Tjerëve, Gjykata Federale Penale e Zvicrës refuzoi të mbështeste një pretendim për imunitet në një çështje penale kundër një shtetasi algjerian për krime lufte, përfshirë akte torturash, të kryera në Algjeri. I pandehuri kishte shërbyer më parë si ministër i mbrojtjes dhe kishte qenë pjesë e junta-s që sundonte në Argjentinë në kohën relevante. Prandaj, çështja kishte të bënte me imunitetin e mbetur rationae materiae të një individi i cili kishte përfituar nga imuniteti rationae personae gjatë kohës që ishte në detyrë. Gjykata shpjegoi se qëllimi i imunitetit rationae materiae ishte edhe të mbronte zyrtarët nga pasojat e akteve që i atribuoheshin Shtetit për të cilin ata vepronin, edhe, përmes kësaj, të garantonte respektimin e sovranitetit të Shtetit.
153. Gjykata iu referua vendimit të Dhomës së Lordëve në Pinochet (Nr. 3) dhe evolucionit në favor të një numri në rritje të përjashtimeve të imunitetit rationae materiae të theksuara në doktrinën ligjore. Ajo përmendi debatin në lidhje me faktin nëse aktet e paligjshme mund të konsideroheshin akte zyrtare për qëllime të atij imuniteti. Ajo arriti në përfundimin që doktrina ligjore dhe praktika gjyqësore nuk e konfirmonin më njëzëri që imuniteti i mbetur rationae materiae i mbulonte të gjitha aktet e kryera gjatë kohës së të qenit në detyrë aty ku ishin ngritur akuza për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Prandaj do të ishte paradoksale të pohohej qëllimi për të parandaluar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut duke pranuar në të njëjtën kohë një interpretim të gjerë të rregullave të imunitetit rationae materiae të Shtetit në të mirë të zyrtarëve të Shtetit, duke penguar kështu hetimet në lidhje me akuza të tilla.
4. Belgjika
154. Ligji i 16 qershorit 1993 mbi Ndëshkimin e Shkeljeve të Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare përkufizon disa akte të caktuara, përfshirë torturën dhe gjenocidin, si krime ndërkombëtare të dënueshme në përputhje me dispozitat e Ligjit. Neni 5 i Ligjit u ndryshua në vitin 1999 për të parashikuar shprehimisht që:
“Imuniteti dhënë cilësisë zyrtare të një personi nuk përbën pengesë për zbatimin e këtij ligji.”
E DREJTA
I. BASHKIMI I KËRKESAVE
155. Duke pasur parasysh sfondin e tyre ligjor të ngjashëm, Gjykata vendos që dy kërkesat duhet të bashkoheshin në pajtim me nenin 42 § 1 të Rregullores së Gjykatës.
II. LOCUS STANDI
156. Kërkuesi Z. Sampson vdiq në mars 2012, ndërkohë që çështja ishte në vazhdim pranë kësaj Gjykate. Një nga të afërmit e tij më të afërt që ishte ende gjallë dhe ishte përfaqësuese e pasurisë së tij, Znj. Jane Mayfield, shprehu dëshirën për ta vazhduar kërkesën në emër të tij.
157. Gjykata përsërit që në disa çështje në të cilat kërkuesi ka vdekur gjatë periudhës së procedurave ajo ka marrë në shqyrtim deklaratat nga trashëgimtarët ose familjarët e afërt të kërkuesit të cilët kanë shprehur dëshirën për t’i vazhduar procedurat para Gjykatës (shih për shembull Dalban kundër Rumanisë [GC], nr. 28114/95, § 39, ECHR 1999-VI; Malhous kundër Republikës Çeke (dec.) [GC], nr. 33071/96, ECHR 2000‑XII; dhe Asadbeyli dhe të Tjerë kundër Azerbajxhanit, nr. 3653/05, nr. 14729/05, nr. 20908/05, nr. 26242/05, nr. 36083/05 dhe nr. 16519/06, § 106, 11 dhjetor 2012). Në rastin konkret, Qeveria nuk e kontestoi të drejtën e Znj. Mayfield për të vijuar kërkesën në emër të Z. Sampson. Gjykata shënon që Z. Sampson vdiq mbi pesë vjet pasi kërkesa e tij ishte depozituar në këtë Gjykatë dhe që ai kaloi vite, pas lirimit të tij nga paraburgimi në Arabinë Saudite, duke kërkuar avancimin e pretendimit të tij civil dhe llogaridhënien e torturuesve të tij të pretenduar. Prandaj, Gjykata e pranon të drejtën e përfaqësuesit të pasurisë së tij për ta vazhduar kërkesën në emër të tij. Gjykata do të vazhdojë t’i referohet Z. Sampson si kërkuesi në këtë çështje.
III. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS
158. Z. Jones u ankua që dhënia e imunitetit Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe të pandehurit individual në çështjen e tij ishte shkelje jo proporcionale e të drejtës së tij për t’u drejtuar në gjykatë.
159. Kërkuesit e tjerë u ankuan që dhënia e imunitetit të pandehurve individualë në çështjen e tyre ishte shkelje jo proporcionale e të drejtës së tyre për t’u drejtuar në gjykatë.
160. Kërkuesit u mbështetën në nenin 6 § 1 të Konventës, i cili parashikon:
“Në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile ... çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht ... nga [një] gjykatë ...”
A. Pranueshmëria
1. Parashtrimet e palëve
161. Qeveria theksoi që secili Shtet ka për detyrë sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore t’u japë imunitet Shteteve të tjera. Qëndrimi fillestar ishte që ekzistonte një rregullë e përgjithshme e imunitetit prej së cilës pranoheshin disa përjashtime të caktuara. Këto përjashtime pasqyroheshin në Konventën e Baselit dhe në Konventën e OKB-së për Imunitetet Juridiksionale. Kështu, gjykatat e një Shteti nuk ishin të lira të modifikonin imunitetet sipas dëshirës. Ligji i vitit 1978 zbatonte detyrimet e Shtetit përgjegjës ndaj Shteteve të tjera sipas të drejtës ndërkombëtare publike. Qëndrimi i përcaktuar në Ligjin e vitit 1978 ishte i qartë: Arabisë Saudite i takonte imuniteti nëse nuk zbatohej një prej përjashtimeve të renditura në seksionet 2-11. Këtu ishte e qartë se asnjë prej përjashtimeve nuk zbatohej.
162. Në këtë kuadër, Qeveria ftoi Gjykatën të rishqyrtonte gjetjen e saj në Al-Adsani që neni 6 § 1 angazhohej në çështjet që kishin të bënin me imunitetin e Shtetit. Ajo argumentoi që neni 6 mund t’u drejtohej vetëm ushtrimit të pushteteve të juridiksionit të poseduara sipas të drejtës ndërkombëtare. Ai nuk mund të kërkonte që një Shtet t’i atribuonte vetes pushtete gjykimi të cilat, sipas të drejtës ndërkombëtare, ai nuk i posedonte. Për pasojë, një Shtet nuk mund të konsiderohej që kishte mohuar të drejtën për t’u drejtuar në gjykatë kur ai nuk kishte të drejta për të dhënë.
163. Kërkuesit pretenduan që neni 6 § 1 ishte mjaftueshëm i angazhuar në rrethanat e çështjes, duke u mbështetur në vendimin e kësaj Gjykate në Al-Adsani, cituar lart.
2. Vlerësimi i Gjykatës
164. Në Al-Adsani, cituar lart, §§ 46-49, Gjykata deklaroi që neni 6 § 1 ishte i zbatueshëm në pretendimin kundër një Shteti për dëmshpërblim për lëndime personale. Ajo gjeti që dhënia e imunitetit nuk kualifikonte të drejtën substanciale por vepronte si ndalesë procedurale ndaj pushtetit të gjykatës kombëtare për të përcaktuar të drejtën. Nuk ka arsye të deklarohet ndryshe në rastin konkret. Rrjedhimisht, neni 6 § 1 është i zbatueshëm.
165. Më tej Gjykata shënon që kërkesat nuk janë dukshëm të pabaza brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës ose të papranueshme mbi ndonjë bazë tjetër. Prandaj ato duhet të deklarohen të pranueshme.
B. Themelet
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesit
(i) Z. Jones
166. Z. Jones parashtroi që çdo kufizim ndaj të drejtës së tij për t’u drejtuar në gjykatë duhet të synonte një qëllim legjitim dhe duhet të ishte proporcional. Në lidhje me këtë të dytën, ai theksoi që sa më i gjerë të ishte imuniteti aq më i fortë duhet të ishte arsyetimi: përjashtimet e gjera nga pretendimet civile kërkonin arsyetim të fortë (duke cituar Fayed kundër Mbretërisë së Bashkuar, 21 shtator 1994, § 65, Seria A nr. 294‑B). Në rastin konkret, rëndësia e të drejtës për t’u drejtuar në gjykatë lartësohej sepse konteksti ishte pretendim civil për torturë, ndalimi i së cilës ishte jus cogens sipas të drejtës ndërkombëtare.
167. Z. Jones konsideroi që qasja e ndërmarrë nga Gjykata në Al-Adsani, cituar lart, ishte e gabuar. Ai vuri në pah që në Waite dhe Kennedy, cituar lart, § 68, Gjykata ishte mbështetur mbi faktin që kërkuesit kishin mjete të tjera të arsyeshme për zgjidhje në dispozicion kur arriti në përfundimin që imuniteti dhënë Agjencisë Evropiane të Hapësirës nuk ishte ndërhyrje jo proporcionale ndaj të drejtës së kërkuesve për t’u drejtuar në gjykatë. Megjithatë, Gjykata në Al-Adsani nuk kishte marrë në konsideratë nëse mjetet alternative për zgjidhje ekzistonin. Për pasojë, arsyetimi i saj në atë rast ishte fatalisht i çalë. Kërkuesi nuk mundi de jure dhe de facto të dorëzonte pretendimin në Arabinë Saudite, meqenëse ai nuk pati mundësi të kthehej në vendin ku ishte torturuar dhe gjykatat atje nuk ishin as të pavarura e as të paanshme. Më tej, ai argumentoi që Shteti përgjegjës ishte mes një pakice Shtetesh të cilat ofronin imunitet të plotë për zyrtarët e Shtetit, sipas të dhënave të ofruara nga Qeveria, duke diskutuar që vetëm Republika Çeke, Gjermania, Irlanda dhe Federata Ruse dukej se ofronin një shkallë të tillë imuniteti.
168. Duke u mbështetur gjithashtu mbi parashtrimet e kërkuesve të tjerë, kërkuesi konkludoi që ishte jo proporcionale të zbatohej një imunitet i plotë në mënyrë që të bllokohej tërësisht përcaktimi gjyqësor i një të drejte civile pa ekuilibruar interesat konkurruese, pra ato të lidhura me imunitetin e veçantë dhe ato të natyrës së pretendimit specifik që ishte lënda në rastin e procedurave.
(ii) Z. Mitchell, Z. Sampson dhe Z. Walker
169. Kërkuesit argumentuan që asnjë rregullë e të drejtës ndërkombëtare nuk mandatonte zbatimin e imunitetit në çështje, pra pjesa më e madhe e analizave në Al-Adsani nuk shpinin në përfundimin që ndërhyrja ishte proporcionale. Për aq sa imuniteti mund të identifikohej si rregullë e të drejtës ndërkombëtare, ai ishte i një natyre dhe statusi të atillë që ishte e pamjaftueshme të shkonte deri në ndërhyrje proporcionale tek të drejtat e nenit 6 § 1 sepse kishte mjete më të rafinuara dhe proporcionale të kontrollimit dhe kufizimit të pretendimeve të cilat lejonin gjetjen e një ekuilibri të përshtatshëm.
170. Kërkuesit nuk ishin dakord me argumentin e Qeverisë që zyrtarët hynin brenda nocionit të “Shtetit” dhe që kërkuesit në fakt po kërkonin të ngrinin pretendime kundër Arabisë Saudite. Përkufizimi i “Shtetit” në Ligjin e vitit 1978 nuk ishte përcaktues për çështjen sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore. Ata iu referuan përfundimit të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në Samantar që zyrtarët e Shtetit nuk ishin të mbuluar nga përkufizimi i shtetit në FSIA, i cili miratoi një përkufizim në substancë identik me Ligjin e vitit 1978. Më tej, ata argumentuan që neni 2(1) i Konventës së Imuniteteve Juridiksionale, i cili përmbledh “përfaqësues të Shtetit që veprojnë në atë cilësi” brenda nocionit të “Shtetit”, synonte të mbulonte përfaqësuesit e Shtetit të cilët gëzonin imunitet rationae personae. Ata u mbështetën në këtë aspekt mbi komentarin e Komisionit Ndërkombëtar të Ligjeve për të përkrahur pohimin e tyre.
171. Sipas kërkuesve, nuk kishte simetri mes rregullave ndërkombëtare mbi imunitetin e Shtetit dhe përgjegjësinë e Shtetit. Fakti që akti i një zyrtari të Shtetit i atribuohej vetë Shtetit si çështje e të drejtës ndërkombëtare nuk nënkuptonte që vetëm Shteti ishte përgjegjës për aktin si çështje e të drejtës bashkiake. Kishte shumë raste ku ishin kërkuar njëkohësisht dëmshpërblim për një keqbërje civile në të drejtën bashkiake dhe ndreqje kundër një Shteti për një akt ndërkombëtarisht të gabuar. Supozimi i Dhomës së Lordëve dukej të kishte qenë që qëllimi i ligjit të imunitetit ishte të ofronte mbrojtje procedurale ushtrimit nga Shteti forum të juridiksionit ndaj çdo akti i cili, sipas të drejtës ndërkombëtare, do t’i atribuohej Shtetit. Ky ishte një justifikim i pazakontë dhe shqetësues për imunitetin e Shtetit. Ishte e qartë nga Draft Nenet mbi përgjegjësinë e Shtetit që përkufizimi i Shtetit shërbente vetëm për qëllime të atribuimit, dhe jo për ndonjë arsye tjetër. Kjo demonstrohej nga fakti që një shkelje e kontratës nga një organ i Shtetit përbën akt të Shtetit për qëllime të përgjegjësisë së Shtetit, në pajtim me Draft Nenet, por sjellja lidhur me veprimtarinë tregtare përgjithësisht nuk e tërheq imunitetin e Shtetit në procedura civile në përputhje me përjashtimin më gjerësisht të pranuar jure gestionis nga ai parim. Në mënyrë të ngjashme, aktet e torturës të kryera ndaj Shtetit forum angazhonin përgjegjësinë e Shtetit por nuk përfitonin nga imuniteti i Shtetit. Më tej, kërkuesit theksuan se në të drejtën ndërkombëtare nuk kishte detyrim mbi Shtetet për të bindur një vendim të sjellë siç duhet kundër zyrtarëve të tyre individualë. Prandaj, nuk kishte bazë për të kundërshtuar faktin që një veprim kundër një zyrtari në këto rrethana hidhte në gjyq në mënyrë të tërthortë vetë Shtetin. Dëmshpërblimi i akorduar në procedurat vendase do të merrej në shqyrtim nga një tribunal ndërkombëtar në vlerësimin e zgjidhjeve të përshtatshme, për të parandaluar ndreqjet e dyfishta.
172. Pasi u pranua që rregullat mbi përgjegjësinë e Shtetit dhe imuniteti i Shtetit u shërbenin qëllimeve thellësisht të ndryshme, u bë e qartë se nuk mund të supozohej më që përkufizimi i “akteve zyrtare” ishte i njëjtë në të dy kontekstet. Ndarja nuk ishte mes akteve zyrtare dhe akteve private por mes akteve zyrtare të cilave u takonte imuniteti i Shtetit dhe akteve zyrtare të cilave nuk u takonte një gjë e tillë. Kërkuesit e kontestuan sugjerimin që kishte mospërputhje mes kësaj qasjeje dhe përkufizimit të torturës në Konventën kundër Torturës: neni 1 i Konventës ishte rruga për tek detyrimet parësore sipas Konventës kundër Torturës; nuk ishte rregullë e atribuimit për qëllime të përgjegjësisë së Shtetit. Kërkuesit treguan disa çështje që mbështesnin pohimin që aty ku një zyrtar Shteti angazhohej në akte që përbënin shkelje të një norme të pakundërshtueshme, nuk kishte imunitet nga juridiksioni (duke cituar, inter alia, Prefektura e Voiotia, Ferrini dhe Furundzija, lart). Kjo qasje ishte posaçërisht e qartë në Shtetet e Bashkuara (duke cituar, inter alia, Filartiga dhe Samantar, lart). Vendimi i fundit i ICJ-së në Gjermania kundër Italisë ishte relevant vetëm për pretendimet kundër vetë Shtetit: ai nuk gjente zbatim në pretendimet e kërkuesve kundër zyrtarëve të Shtetit. Për sa i përket refuzimit të një përjashtimi jus cogens nga ICJ në atë çështje, kërkuesit e kritikuan vendimin për mungesën e angazhimit real me parimet faktike që ngërthehen në doktrinën e imunitetit të Shtetit. Ata gjithashtu e kritikuan gjykatën për qasjen e saj formaliste ndaj çështjes së konfliktit të supozuar mes rregullave jus cogens dhe rregullës së imunitetit të Shtetit, dhe ftuan këtë Gjykatë të refuzonte ndjekjen e shembullit të ICJ-së gjatë marrjes së vendimit se si të vihej ekuilibri mes dy grupeve të normave në kontekstin e nenit 6.
173. Së fundi, kërkuesit argumentuan që dallimi mes procedurave civile dhe penale nuk ishte relevant dhe nuk justifikonte një qasje të ndryshme ndaj imunitetit të zyrtarëve të Shtetit në çështje civile dhe penale. Gjykatat penale në disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, kishin pushtetin për të akorduar kompensim për viktimat. Kërkuesit iu referuan çështjes franceze Ould Dah, ku palëve civile në procedura penale iu akordua kompensim dhe çështja e imunitetit nuk u shqyrtua. Për më tepër, kërkuesit diskutuan që do të ishte kontradiktore të sugjerohej që përgjegjësia penale shfuqizohej nga Konventa kundër Torturës por jo përgjegjësia civile. Neni 4(2) i asaj Konvente u kërkonte Shteteve ta bënin veprën e torturës të dënueshme me anë të ndëshkimeve të përshtatshme, çka qartazi përfshin pagimin e kompensimit, dhe neni 14 mbi kompensimin nuk ishte territorialisht i kufizuar. Propozimi gjatë negociatave për të kufizuar nenin 14 përmes referencës së territorit nën juridiksionin e një Shteti ishte fshirë nga versioni përfundimtar i tekstit, dhe sipas kërkuesve nënkuptimi i qartë ishte që nuk synohej fare kufizimi territorial. Kështu, parimet e imunitetit të Shtetit nuk mund t’i ndalonin gjykatat e Shtetit forum që të urdhëronin një zyrtar të huaj për t’i paguar kompensim viktimave të torturave.
(b) Qeveria
174. Qeveria argumentoi që dhënia e imunitetit Shtetit të Arabisë Saudite në çështjen e Z. Jones synonte qëllimin legjitim të pajtueshmërisë me të drejtën ndërkombëtare në mënyrë që që promovonte sjelljen e njerëzishme dhe marrëdhëniet e mira mes Shteteve përmes respektit të secilit Shtet për sovranitetin e tjetrit. Ajo argumentoi që kishte një hapësirë vlerësimi për sa i përket të drejtuarit në gjykatë, e cila u lejonte Shteteve që të vepronin në lidhje me pikëpamjet e veta, nëse ato ishin me vend dhe të arsyeshme, në lidhje me shkallën e detyrimeve të tyre sipas të drejtës ndërkombëtare publike. Në çështjen në fjalë, nuk mund të thuhej se qasja e Mbretërisë së Bashkuar binte ndesh me parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare ose ishte jashtë çdo standardi ndërkombëtar përgjithësisht të pranuar. Qeveria bëri dallimin mes Waite dhe Kennedy, cituar lart, duke kërkuar shqyrtimin e mjeteve alternative të zgjidhjes në terren mbi bazën e faktit që kishte një dallim të rëndësishëm mes çështjeve që përfshinin imunitetin e organizatave ndërkombëtare në të cilin nuk kishte forume alternative; dhe çështjeve të imunitetit të Shtetit ku juridiksioni në lidhje me një pretendim të caktuar i përkiste një Shteti tjetër. Një gjykatë bashkiake nuk mundte që, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare zakonore, të krijonte një përjashtim nga imuniteti i Shtetit për të ndrequr dështimin substantiv të një gjykate të huaj e cila kishte juridiksion por zgjidhte që të mos e ushtronte atë. Ajo shtoi që përkrahja dhe ndihma konsullore që Qeveria i ofroi kërkuesve në Arabinë Saudite dhe që prej kohës së lirimit të tyre prej paraburgimit nuk duhej anashkaluar.
175. Në lidhje me dhënien e imunitetit zyrtarëve të Shtetit në të dyja rastet, parashtrimi kryesor i Qeverisë ishte se ishte i ngulitur mirë si parim i së drejtës ndërkombëtare që një Shteti i takonte i njëjti imunitet, në lidhje me aktet zyrtare të zyrtarëve të tij në çështjet ku i pandehuri i emërtuar në procedura ishte një prej atyre zyrtarëve, siç ishte edhe në një çështje ku i pandehuri i emërtuar ishte vetë Shteti. Prandaj, çështja nuk ishte nëse imuniteti i Shtetit shtrihej edhe tek këta zyrtarë, por nëse zyrtari ishte pjesë e atillë e Shtetit që imuniteti i Shtetit zbatohej automatikisht. Aktet e zyrtarëve të Shtetit që vepronin në atë cilësi nuk u atribuoheshin atyre personalisht por vetëm Shtetit. Prandaj, kishte një simetri mes të drejtës ndërkombëtare mbi imunitetin e Shtetit dhe asaj mbi përgjegjësinë e Shtetit. Ligji i vitit 1978 pasqyronte detyrimet e Shtetit përgjegjës ndaj Shteteve të tjera sipas të drejtës ndërkombëtare publike. Kjo mbështetej nga përkufizimi i “Shtetit” në marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë Konventën e OKB-së për Imunitetet Juridiksionale dhe Draft Nenet mbi Përgjegjësinë e Shtetit; në legjislacionin dhe praktikën gjyqësore vendase; dhe në vendimin e Dhomës së Apelit të ICTY në Blaškić. Rrjedhimisht, nëse një akt i atribuohej Shtetit në mënyrë të atillë që Shteti mbante përgjegjësi për të në rrafsh ndërkombëtar, i njëjti akt duhet të trajtohej si akt i Shtetit për qëllime të së drejtës nga e drejta ndërkombëtare për imunitet Shteti në procedura para një gjykate bashkiake. Kjo pasqyronte realitetin praktik të situatës. Nëse zyrtari i Shtetit paditej në gjykatat vendase të një Shteti tjetër për akte të kryera gjatë ushtrimit të funksioneve të tij zyrtare, atëherë, në praktikë Shteti paditej në mënyrë të tërthortë, sepse jo vetëm që aktet e tij viheshin në pyetje por prej tij do të pritej që të përmbushte çdo vendim për dëmshpërblime dhe, sipas të gjitha gjasave, do të ishte burimi i vetëm nga i cili do të mund të përmbushej një vendim i tillë për akordim të dëmshpërblimit.
176. Qeveria parashtroi që edhe Gjykata e Apelit edhe Dhoma e Lordëve me të drejtë e kishin refuzuar argumentin sipas të cilit nga statusi jus cogens i ndalimit kundër torturës rridhte që Shteteve u kërkohej të mos jepnin imunitet nga veprimet kundër Shteteve të huaja në lidhje me shkeljet e pretenduara të atij ndalimi. Argumenti ishte jo i shëndoshë për disa arsye. Së pari, rregulla e imunitetit të Shtetit nuk e autorizonte ose falte torturën dhe kështu nuk ishte në papajtueshmëri me ndalimin e torturës. Ajo thjesht i jepte shkeljeve kahje tjetër, drejt një metode të ndryshme zgjidhjeje. Së dyti, argumenti ishte refuzuar kudo që ishte ngritur para gjykatave ndërkombëtare (duke cituar, inter alia, çështjen e Urdhërarrestit dhe Al-Adsani, cituar lart). Së treti, çështja nëse duhet të ketë imunitet Shteti për tortura ishte ngritur në negociatat rreth Konventës së OKB-së për Imunitetet Juridiksionale dhe ishte vendosur që duke u bazuar në gjendjen aktuale të së drejtës ndërkombëtare zakonore nuk mund të bëheshin përjashtime. Së fundi, argumenti ishte refuzuar nga shumica e gjykatave kombëtare të cilat ishin përballur me çështjen (duke cituar, inter alia, Bucheron, Siderman de Blake, Princz dhe Bouzari, lart). Megjithëse disa gjykata kombëtare në Greqi dhe Itali e kishin pranuar argumentin jus cogens, këto çështje nuk ishin bindëse dhe nuk kishin vendosur një praktikë të përgjithësuar të pranuar në të drejtën ndërkombëtare. Të mbështeturit në vendime të izoluara nuk ishte i mjaftueshëm për të konstatuar ndryshime në të drejtën zakonore. Kjo pikëpamje u vërtetua nga ICJ në vendimin Gjermania kundër Italisë, i cili u arsyetua me kujdes dhe u bazua mbi një shqyrtim dhe analizë të gjerë të praktikës së Shtetit. Qeveria shtoi se praktika gjyqësore në Shtetet e Bashkuara ku ishte vendosur juridiksion mbi shkeljet madhore të së drejtës ndërkombëtare të kryera nga jo shtetas jashtë vendit nuk shprehte parime gjerësisht të përbashkëta dhe të respektuara në mesin e vendeve të tjera.
177. Më tej Qeveria refuzoi argumentin e kërkuesve që tortura nuk ishte “akt zyrtar” i cili mund të sillte imunitetin e Shtetit. Ishte e qartë se akuzat për tortura nuk mund të konsiderohej se lidheshin me akte jure gestionis sepse ato hynin brenda konceptit të ushtrimit të pushtetit sovran. Nuk ishte paraqitur asnjë autoritet që të mbështeste sugjerimin se disa lloje të caktuara të akteve sovrane nuk tërhiqnin imunitetin e Shtetit. Qeveria gjithashtu theksoi që përkufizimi i torturës në Konventën kundër Torturës kërkonte që akti të ishte kryer nga një zyrtar publik ose person që vepronte në cilësi zyrtare. Kjo pasqyrohej në rregullat e të drejtës ndërkombëtare në lidhje me përgjegjësinë e Shtetit, të cilat parashikonin angazhimin e përgjegjësisë së Shtetit aty ku një prej zyrtarëve të tij, nën ombrellën e autoritetit të tij [Shtetit], torturonte një shtetas të një Shteti tjetër.
178. Për sa i përket detyrimit për të ofruar zgjidhje të caktuar nga neni 14 i Konventës kundër Torturës, Qeveria ishte e mendimit që ai u kërkonte Shteteve që të garantonin zgjidhje në lidhje me torturat e kryera vetëm brenda territoreve të tyre. Kjo pikëpamje u mbështet nga legjislacioni kombëtar mbi juridiksionin civil për torturën dhe imunitetin e Shtetit dhe nga praktika e Shtetit. Draft teksti i nenit 14 ishte sqaruar gjatë negociatave në mënyrë që të pasqyronte qëllimin që neni të kufizohej brenda territorit të Shtetit, por për arsye të cilat nuk u shpjeguan sqarimi u la jashtë kur u dorëzua drafti. Mendimi i Qeverisë ishte që kjo lënie jashtë ishte gabim, dhe iu referua deklaratës së SHBA-ve rreth Konventës kundër Torturës në lidhje me të kuptuarit e saj të fushëveprimit territorial të nenit 14.
179. Qeveria njohu që zyrtarët shtetërorë në fjalë mund të ndiqeshin penalisht në Mbretërinë e Bashkuar për sjelljen e tyre. Megjithatë, kishte arsye të forta për të bërë dallimin mes procedurave penale dhe civile në këtë kontekst. Së pari, Konventa kundër Torturës përmbante dispozita të qarta që u kërkonin Shteteve palë të ndiqnin penalisht zyrtarët e Shteteve të huaja në lidhje me akte torturash të kryera jashtë Shtetit forum; nuk kishte dispozitë të krahasueshme për procedura civile. Së dyti, në Pinochet (Nr. 3) shumica e Dhomës së Lordëve arsyetuan që nuk kishte imunitet në lidhje me ndjekjen penale për tortura mbi bazën e Konventës kundër Torturës dhe faktin që të tre vendet e përfshira në atë çështje ishin palë në Konventën kundër Torturës. Së treti, përgjegjësia penale e individit nuk ishte, si çështje e të drejtës ndërkombëtare, pjesë e pandashme e përgjegjësisë së Shtetit por diçka që ishte e ndarë nga ajo përgjegjësi. Së fundi, përgjegjësia civile për akte të kryera në karakter zyrtar ishte domosdoshmërisht e lidhur me përgjegjësinë e vetë Shtetit sepse, në praktikë, Shteti mund të pritej që të përmbushte dhënien e dëmshpërblimit për aktet e zyrtarëve dhe, anasjelltas, përmbushja e çdo dëmshpërblimi të tillë do të ndikonte në përgjegjësinë e Shtetit për të dhënë kompensim në të gjitha procedurat që mund të ndërmerreshin kundër tij. Vlente të përmendej që ICJ gjithashtu kishte bërë një dallim të qartë mes procedurave civile dhe penale në vendimin e saj në Gjermania kundër Italisë, duke iu referuar vendimit në Pinochet (Nr. 3).
(c) Ndërhyrësit e palës së tretë
180. REDRESS, Amnesty International, INTERIGHTS dhe JUSTICE parashtruan komente me shkrim të palëve të treta në lidhje me çështjen e imunitetit të zyrtarëve.
181. Ndërhyrësit theksuan se aty ku ngrihej një padi kundër një Shteti dhe zyrtarëve të tij, kërkohej një përcaktim i ndarë i secilit imunitet meqenëse ato nuk kishin të njëjtën hapësirë dhe peshë. Arsyetimet dhe qëllimet e tyre të ndryshme tregonin se nuk rridhte logjikisht që nëse Shteti gëzonte imunitet e njëjta gjë vlente edhe zyrtarët e tij.
182. Tortura i jepte shkas edhe përgjegjësisë individuale, edhe asaj të Shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare. Pretendimi kundër një zyrtari për rolin e tij në kryerjen e torturave nuk mund të thuhej të ishte i barasvlershëm në praktikë me pretendimin kundër vetë Shtetit në mënyrë të atillë që të mbështeste pohimin se vetë Shteti ishte drejtpërdrejt i paditur. Një pretendim i tillë kishte të bënte me përgjegjësinë personale të zyrtarit dhe çdo akordim eventual i dëmshpërblimit do të ishte i zbatueshëm vetëm kundrejt individit dhe jo kundrejt Shtetit dhe aseteve të tij.
183. Ndërhyrësit argumentuan që imuniteti rationae materiae, që diskutohej në çështjen në fjalë, nuk zbatohej aty ku pretendohej se ishin kryer tortura. Duke theksuar që objekti dhe qëllimi i Konventës kundër Torturës ishte të garantohej llogaridhënia dhe të parandalohej pandëshkueshmëria për tortura, ata pohuan se dhënia e imunitetit zyrtarëve të Shtetit në çështjet e torturave ishte në papajtueshmëri me këtë qëllim, posaçërisht aty ku nuk ekzistonin mjete alternative për zgjidhje. Kishte prova të qarta të praktikës së Shtetit të refuzimit të imunitetit të Shtetit si zyrtarëve aktualë ashtu edhe atyre të mëparshëm të akuzuar për krime sipas të drejtës ndërkombëtare në Francë, Itali, Holandë dhe Spanjë. Nuk kishte një vijë të dallueshme ndarëse mes procedurave civile dhe penale: në disa Shtete anëtare të Këshillit të Evropës, gjykatat lejoheshin të merrnin në shqyrtim padi civile në një action civile në çështje penale. Kishte disa shembuj në gjykatat franceze të dënimeve të zyrtarëve të huaj për tortura apo vepra të tjera penale dhe dhënies së dëmshpërblimeve për viktimat të cilat kishin dalë edhe si parties civiles.
184. Në çështjet ku zyrtarëve u është dhënë imuniteti i Shtetit në procedura civile në lidhje me akuza për tortura, ndërhyrësit diskutuan që kufizimi i të drejtës për t’u drejtuar në gjykatë nuk kishte qëllim legjitim dhe nuk ishte proporcional. Imuniteti i Shtetit në këtë kontekst nuk i kontribuonte funksionimit të duhur të Shtetit dhe, meqenëse Shteti nuk ishte i paditur, argumentet e përdorura për të justifikuar imunitetin e Shtetit nuk ishin me vend këtu. Qëllimi i imunitetit rationae materiae ishte të parandalonte paditë kundër zyrtarëve të Shtetit kur ata nuk shkaktonin përgjegjësi të pavarur por thjesht vepronin si zëdhënës të Shtetit. Ai qëllim nuk zbatohej kur akuzat ishin për tortura, meqenëse hynte brenda përgjegjësisë personale të zyrtarit. I vetmi rol që luhej nga dhënia e imunitetit rationae materiae në këtë rast ishte që të parandalohej zyrtari nga llogaridhënia, çka nuk mund të konsiderohej si qëllim legjitim sipas nenit 6 § 1.
185. Ndërhyrësit theksuan që sa më i gjerë të ishte imuniteti aq më bindës duhet të ishte justifikimi i tij (duke cituar Kart kundër Turqisë [GC], nr. 8917/05, § 83, ECHR 2009 (pjesë të shkëputura)). Gjykata kishte ndërmarrë një interpretim të ngushtë të imunitetit në çështjet që kishin të bënin me imunitetin parlamentar. Ajo gjithashtu ka treguar se nuk do të ishte në pajtim me sundimin e ligjit në një shoqëri demokratike nëse një Shtet, pa kufizim ose kontroll, do të hiqte nga juridiksioni i gjykatave një sërë pretendimesh civile ose do të jepte imunitete mbi kategori të caktuara të personave (shih Fayed, cituar lart, § 65; dhe Cordova kundër Italisë (nr. 1), nr. 40877/98, § 58, ECHR 2003‑I). Natyra e keqbërjes në lidhje me të cilën është kërkuar të drejtohet në gjykatë – pra tortura – kërkonte një qasje edhe më të shtrënguar ndaj kufizimeve të vendosura. Ajo gjithashtu ishte relevante edhe për proporcionalitetin nëse kishte mjete alternative për zgjidhje; në rastet e kërkuesve nuk kishte. Në mënyrë të veçantë, nuk kishte zgjidhje efektive – siç kërkohet nga neni 14 i Konventës kundër Torturës – në Arabinë Saudite për akuzat për tortura meqenëse tortura nuk ishte krim i përkufizuar sipas të drejtës saudite dhe nuk parashikohej ndëshkim i veçantë. Komiteti Kundër Torturës kishte gjetur që nuk kishte mekanizma efektive për hetimin e pretendimeve për tortura në Arabinë Saudite. Mbrojtja diplomatike nuk mund të përbënte zgjidhje efektive: megjithëse Qeveria përgjegjëse iu referua gatishmërisë së saj në Al-Adsani, nuk kishte prova që ajo t’i kishte ofruar Al-Adsanit ndonjëherë një mbrojtje të tillë. Mbrojtja diplomatike ishte krejtësisht brenda diskrecionit të Shtetit të kombësisë dhe Qeveria nuk mund të detyrohej të përkrahte një pretendim në emër të shtetasve të vet.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme rreth të drejtuarit në gjykatë në kontekst të imunitetit të Shtetit
186. Neni 6 § 1 i siguron secilit të drejtën për të sjellë çdo mosmarrëveshje ligjore (në tekstin frëngjisht të nenit 6 § 1 “contestation”) në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e veta civile para një gjykate. Megjithatë, e drejta për t’u drejtuar në gjykatë nuk është absolute. Ajo mund t’u nënshtrohet kufizimeve meqenëse e drejta për t’u drejtuar në gjykatë nga vetë natyra kërkon rregullim nga Shteti. Në këtë aspekt, Shtetet Kontraktuese gëzojnë një hapësirë të caktuar vlerësimi, megjithëse vendimi përfundimtar në lidhje me respektimin e kërkesave të Konventës merret nga Gjykata. Ajo duhet të bindet që kufizimet e zbatuara nuk ngushtojnë apo zvogëlojnë të drejtën që i mbetet individit për t’u drejtuar në gjykatë në mënyrë të atillë ose në shkallë të atillë saqë dëmtohet vetë thelbi i të drejtës. Më tej, kufizimi nuk është në pajtim me nenin 6 § 1 nëse ai nuk synon një qëllim legjitim dhe nëse nuk ka marrëdhënie të arsyeshme proporcionaliteti mes mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet (shih Fogarty kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 37112/97, §§ 32-33, ECHR 2001‑XI (pjesë të shkëputura); McElhinney kundër Irlandës [GC], nr. 31253/96, §§ 33-34, ECHR 2001‑XI (pjesë të shkëputura); Al-Adsani, cituar lart, §§ 52-53; Kalogeropoulou dhe të Tjerë, cituar lart; Manoilescu dhe Dobrescu kundër Rumanisë dhe Rusisë (dec.), nr. 60861/00, §§ 66 dhe 68, ECHR 2005‑VI; Cudak kundër Lituanisë [GC], nr. 15869/02, §§ 54-55, ECHR 2010; dhe Sabeh El Leil kundër Francës [GC], nr. 34869/05, §§ 46-47, 29 qershor 2011).
187. Të drejtat e Konventës duhet të garantohen në një mënyrë që është praktike dhe efektive, posaçërisht aty ku bëhet fjalë për të drejtën për t’u drejtuar në gjykatë duke pasur parasysh rëndësinë që ka në një shoqëri demokratike e drejta për gjyq të drejtë. Prandaj, nuk do të ishte në pajtim me sundimin e ligjit në një shoqëri demokratike ose me parimet themelore të ngërthyera në nenin 6 § 1 – pra që paditë civile duhet të jenë të përshtatshme për t’iu paraqitur një gjyqtari për vlerësim – nëse një Shtet, pa kufizim ose kontroll nga organet zbatuese të Konventës, do të mund të hiqte nga juridiksioni i gjykatave një gamë të tërë të padive civile ose t’u japë imunitete nga përgjegjësia civile kategorive të caktuara të personave. Në rastet kur zbatimi i parimit të imunitetit të Shtetit nga juridiksioni ngushton ushtrimin e të drejtës për t’u drejtuar në gjykatë, Gjykatës rrjedhimisht i kërkohet që të sigurohet nëse rrethanat e çështjes e kanë justifikuar një shtrëngim të tillë (Al-Adsani, cituar lart, §§ 47-48; Cudak, cituar lart, §§ 58-59; dhe Sabeh El Leil, cituar lart, §§ 50-51).
188. Më përpara Gjykata ka shpjeguar që imuniteti sovran është një koncept i të drejtës ndërkombëtare, i zhvilluar nga parimi par in parem non habet imperium, sipas të cilit një Shtet nuk i nënshtrohet juridiksionit të një Shteti tjetër. Dhënia e imunitetit sovran një Shteti në procedura civile synon qëllimin legjitim të pajtueshmërisë me të drejtën ndërkombëtare për të promovuar sjelljen e njerëzishme dhe marrëdhëniet e mira mes Shteteve përmes respektimit të sovranitetit të njëri-tjetrit (shih Fogarty, cituar lart, § 34; McElhinney, cituar lart, § 35; Al-Adsani, cituar lart, § 54; Kalogeropoulou dhe të Tjerë, cituar lart; Cudak, cituar lart, § 60; dhe Sabeh El Leil, cituar lart, § 52).
189. Për sa i përket proporcionalitetit të ngushtimit, nevoja për ta interpretuar Konventën sa më shumë që është e mundur në harmoni me rregullat e tjera të së drejtës ndërkombëtare pjesë e të cilave është ajo, përfshirë ato që kanë të bëjnë me dhënien e imunitetit të Shtetit, ka bërë që Gjykata të arrijë në përfundimin që masat e marra nga një Shtet të cilat pasqyrojnë rregullat përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare publike në lidhje me imunitetin e Shtetit nuk mund të shihen parimisht si të tilla që ngushtojnë në mënyrë jo proporcionale të drejtën për t’u drejtuar në gjykatë siç mishërohet nga neni 6 § 1. Gjykata shpjegoi që ashtu si e drejta për t’u drejtuar në gjykatë është pjesë e pandashme e garancisë për gjyq të drejtë në nenin 6 § 1, po ashtu edhe disa kufizimet duhet të shihen si të pandara, ku shembull janë kufizimet përgjithësisht të pranuara nga bashkësia e kombeve si pjesë e doktrinës së imunitetit të Shtetit (shih McElhinney, cituar lart, § 36-37; Fogarty, cituar lart, §§ 35-36 Al‑Adsani, cituar lart, §§ 55-56; Kalogeropoulou dhe të Tjerë, cituar lart; Manoilescu dhe Dobrescu, cituar lart, §§ 70 dhe 80; Cudak, cituar lart, §§ 56-57; dhe Sabeh El Leil, cituar lart, §§ 48-49).
(b) Zbatimi i parimeve në çështjet e mëparshme të imunitetit të Shtetit
190. Gjykata ka shqyrtuar pajtueshmërinë me të drejtën për t’u drejtuar në gjykatë të ngërthyer në nenin 6 § 1 në kontekstin e dhënies së imunitetit të Shtetit në disa padi të ndryshme civile, përfshirë mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me: punësimin në ambasada (Fogarty, Cudak dhe Sabeh El Leil, të gjitha të cituara lart); lëndimet personale të pësuara në Shtetin forum (McElhinney, cituar lart); lëndimet personale të pësuara si rezultat i torturave jashtë vendit (Al-Adsani, cituar lart); krime kundër njerëzimit të kryera në kohë lufte (Kalogeropoulou dhe të Tjerë, cituar lart); dorëzimi i padisë (Wallishauser, cituar lart); dhe ankesat supozimisht të natyrës së të drejtës private (Oleynikov kundër Rusisë, nr. 36703/04, 14 mars 2013). Secili prej këtyre çështjeve kishte të bënte me shkallën deri ku nocioni dikur absolut i imunitetit të Shtetit ia kishte lënë vendin një forme më të kufizuar të imunitetit. Në mënyrë të veçantë, Gjykata shqyrtoi nëse veprimet e Shtetit përgjegjës “[ndodheshin] jashtë të gjitha standardeve të tanishme ndërkombëtarisht të pranuara” (Fogarty, cituar lart, § 37; dhe McElhinney, cituar lart, § 38); ishin “në papajtueshmëri me kufizimet përgjithësisht të pranuara nga bashkësia e kombeve si pjesë e doktrinës së imunitetit të Shtetit” (Al-Adsani, cituar lart, § 66; dhe, nënkuptohet, Kalogeropoulou dhe të Tjerë, cituar lart); ose ishin potencialisht në kundërshtim me një përjashtim nga imuniteti i Shtetit të përcaktuar me anë të një rregulle të së drejtës ndërkombëtare zakonore që ishte e zbatueshme (Cudak, cituar lart, § 67; Sabeh El Leil, cituar lart, § 58; Wallishauser, cituar lart, § 69; dhe Oleynikov, cituar lart, § 68).
191. Në Al-Adsani (cituar lart) e vendosur në vitin 2001, Gjykata gjeti që nuk ishte vërtetuar se ekzistonte pranim në të drejtën ndërkombëtare të pohimit që Shteteve nuk u takonte imunitet në lidhje me paditë civile për dëmshpërblime nga tortura të supozuara të shkaktuara jashtë Shtetit forum. Prandaj, nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 aty ku gjykatat vendase e kishin rrëzuar pretendimin e kërkuesit kundrejt Kuvajtit për dëmshpërblim civil për tortura në zbatimin e rregullave të imunitetit të Shtetit të përmbajtura në Ligjin e vitit 1978. I njëjti përfundim u arrit në vitin 2002 në Kalogeropoulou dhe të Tjerë, cituar lart, në lidhje me refuzimin e Ministrit grek të Drejtësisë për t’u dhënë leje kërkuesve që të përvetësonin prona gjermane në Greqi pas një vendimi në favor të tyre në lidhje me krime kundër njerëzimit të kryera në vitin 1944. Megjithatë, Gjykata aty tregoi se gjetjet e saj në Al-Adsani nuk përjashtonin zhvillime të ardhshme në të drejtën ndërkombëtare zakonore.
192. Në disa çështje të mëvonshme në lidhje me imunitetin e Shtetit, Gjykata gjeti një shkelje të nenit 6 § 1 mbi bazën e faktit që dispozitat e Konventës së OKB-së për Imunitetet Juridiksionale zbatoheshin ndaj Shtetit përgjegjës sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore dhe që dhënia e imunitetit nuk ishte proporcionale meqenëse ajo ishte ose në papajtueshmëri me rregullën e të drejtës ndërkombëtare zakonore ose ishte urdhëruar pa u marrë parasysh si duhet nga gjykatat vendase rregulla në fjalë (Cudak, cituar lart, §§ 67-74; Sabeh El Leil, cituar lart, §§ 58-67; Wallishauser, cituar lart, §§ 69-72; dhe Oleynikov, cituar lart, §§ 68-72).
(c) A duhet të rishikohet qasja në Al-Adsani?
193. Kërkuesit argumentuan që Gjykata duhet të distancohej nga qasja e Dhomës së Madhe në Al-Adsani meqenëse Dhoma kishte dështuar në zhvillimin e një vlerësimi substancial të proporcionalitetit, përfshirë një vlerësim të rrethanave dhe themeleve të çështjes individuale, dhe posaçërisht në shqyrtimin e ekzistencës ose jo të mjeteve alternative të zgjidhjes.
194. Në Al-Adsani çështja vendimtare gjatë vlerësimit të proporcionalitetit të masës ishte nëse rregullat e imunitetit të zbatuara nga gjykatat vendase pasqyronin rregullat përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare publike rreth imunitetit të Shtetit (cituar lart, §§ 55-56 dhe 66-67). Ndërkohë që Gjykata nuk është formalisht e detyruar të ndjekë vendimet e saj të mëparshme, është në interes të sigurisë ligjore, parashikueshmërisë dhe barazisë para ligjit që ajo të mos distancohet, pa arsye të forta, nga precedentët e parashtruar në çështjet e mëparshme (shih, për shembull, Christine Goodwin kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 28957/95, § 74, ECHR 2002‑VI; Scoppola kundër Italisë (nr. 2) [GC], nr. 10249/03, § 104, 17 shtator 2009; dhe Sabri Güneş kundër Turqisë [GC], nr. 27396/06, § 50, 29 qershor 2012). Aty ku precedenti në fjalë është një vendim relativisht i kohëve të fundit dhe gjithëpërfshirës i Dhomës së Madhe, si në rastin konkret, një Dhomë e cila nuk është e përgatitur të ndjekë precedentin e vendosur duhet të propozojë delegimin e çështjes pranë Dhomës së Madhe. Asnjëra nga palët në çështjen në fjalë nuk ka propozuar delegimin e çështjes në Dhomën e Madhe dhe sidoqoftë i mbetet Dhomës të vendosë nëse të veprojë në lidhje me një kërkesë të tillë (shih, për shembull, Hartman kundër Republikës Çeke, nr. 53341/99, § 8 in fine, ECHR 2003‑VIII (pjesë të shkëputura); dhe Kuznetsova kundër Rusisë, nr. 67579/01, § 5, 7 qershor 2007).
195. Duke pasur parasysh precedentin e vendosur nga Al-Adsani dhe shqyrtimin e hollësishëm në atë vendim të çështjeve përkatëse ligjore duke iu referuar praktikës gjyqësore të kësaj Gjykate dhe të drejtës ndërkombëtare, Gjykata nuk e konsideron të përshtatshme që çështja në fjalë t’i kalohet Dhomës së Madhe. Gjatë zhvillimit të testit përkatës sipas nenit 6 § 1 në vendimin e saj në Al-Adsani, Gjykata po vepronte në përputhje me detyrimin e saj për të marrë parasysh rregullat dhe parimet përkatëse të së drejtës ndërkombëtare dhe për të interpretuar Konventën sa më shumë që është e mundur në harmoni me rregullat e tjera të së drejtës ndërkombëtare pjesë e të cilave është ajo vetë (shih Al-Adsani, cituar lart, § 55; shih gjithashtu Al-Saadoon dhe Mufdhi kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 61498/08, § 126, ECHR 2010 (pjesë të shkëputura); Catan dhe të Tjerë kundër Republikës së Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 43370/04, nr. 8252/05 dhe nr. 18454/06, § 136, ECHR 2012 (pjesë të shkëputura); Nada kundër Zvicrës [GC], nr. 10593/08, §§ 171-172, ECHR 2012; dhe nenin 31 § 3 (c) të Konventës së Vjenës). Prandaj, Gjykata është bindur që qasja ndaj proporcionalitetit e përcaktuar nga Dhoma e Madhe në Al-Adsani (shih paragrafin 194 lart) është ajo që do të duhet të ndiqej.
(d) Zbatimi i parimeve në padinë kundër Mbretërisë së Arabisë Saudite
196. Ankesa e Z. Jones në lidhje me rrëzimin e pretendimit të tij kundër Arabisë Saudite është identike në fakte materiale me ankesën e bërë në Al-Adsani, cituar lart. Siç gjeti Gjykata në Al-Adsani, dhënia e imunitetit ndiqte qëllimin legjitim të pajtueshmërisë me të drejtën ndërkombëtare për të promovuar sjelljen e njerëzishme dhe marrëdhëniet e mira mes Shteteve përmes respektimit të sovranitetit të një Shteti tjetër. Ajo ishte në pajtim me nenin 6 § 1 sepse pasqyronte rregullat përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare publike mbi imunitetin e Shtetit në atë kohë. E vetmja pyetje për Gjykatën është nëse kishte pasur, në kohën e vendimit të Dhomës së Lordëve në vitin 2006 në çështjen e kërkuesve, ndonjë zhvillim në standardet e pranuara ndërkombëtare për sa i përket ekzistencës së përjashtimit të torturës në doktrinën e imunitetit të Shtetit që nga vendimin i mëhershëm i saj në Al-Adsani i cili të mund të shpinte në përfundimin që dhënia e imunitetit në këtë rast nuk pasqyronte rregullat përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare publike në lidhje me imunitetin e Shtetit.
197. Gjatë viteve të fundit, si para ashtu edhe pas vendimit të Dhomës së Lordëve në çështjen aktuale, disa juridiksione kombëtare kanë marrë në konsideratë nëse tani ka një përjashtim jus cogens nga imuniteti i Shtetit në paditë civile kundër Shtetit (p.sh. Siderman de Blake, Princz, Smith dhe Sampson në Shtetet e Bashkuara në paragrafin 117 lart; Bouzari dhe Hashemi në Kanada në paragrafët 128-134 lart; Ferrini në Itali në paragrafin 140 lart; Prefektura e Voiotia në Greqi në paragrafin 142 lart; Natoniewski në Poloni në paragrafët 144-146 lart; Bucheron dhe Grosz në Francë në paragrafin 147 lart; A.A. në Slloveni në paragrafët 148-149 lart; dhe Al‑Adsani në Mbretërinë e Bashkuar).
198. Megjithatë, nuk është e nevojshme që Gjykata t’i shqyrtojë të gjitha këto zhvillime me hollësi meqenëse vendimi i fundit i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Gjermania kundër Italisë (shih paragrafët 88-94 lart) – i cili duhet të merret parasysh nga kjo Gjykatë si autoritativ për sa i përket përmbajtjes së të drejtës ndërkombëtare zakonore – konstaton qartë që, deri në shkurt 2012, nuk ka qenë ende i kristalizuar asnjë përjashtim jus cogens nga imuniteti i Shtetit. Prandaj, zbatimi nga gjykatat angleze i dispozitave të Ligjit të vitit 1978 për të mbështetur pretendimin e Mbretërisë së Arabisë Saudite për imunitet në vitin 2006 nuk mund të thuhet se ka shkuar deri në kufizim të pajustifikuar të së drejtës së kërkuesit për t’u drejtuar në gjykatë. Rrjedh që nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës për sa i përket rrëzimit të ankesës së Z. Jones kundër Mbretërisë së Arabisë Saudite.
(e) Zbatimi i parimeve në padinë kundër zyrtarëve të Shtetit
199. Të katër kërkuesit u ankuan që ata nuk patën mundësi të ngrinin padi civile për tortura kundër zyrtarëve të emërtuar të Shtetit. Gjykata duhet të shqyrtojë nëse refuzimi për të lejuar që këto padi të procedonin ka qenë në përputhje me nenin 6 § 1 të Konventës, duke zbatuar qasjen e përgjithshme të paraqitur në Al-Adsani.
200. Për sa i përket legjitimitetit të qëllimit të ndjekur nga kufizimi i të drejtuarit në gjykatë, është me vend të shënohet që në çështjet lidhur me imunitetin e Shtetit të shqyrtuara më parë nga Gjykata, padia civile në fjalë ishte depozituar kundër vetë Shtetit dhe jo kundër individëve të emërtuar. Megjithatë, imuniteti i cili zbatohet në një çështje kundër zyrtarëve të Shtetit mbetet imunitet “Shteti”: ai përdoret nga vetë Shteti, dhe prej tij mund të heqë dorë vetë Shteti. Aty ku, si në rastin konkret, dhënia e imunitetit rationae materiae zyrtarëve synonte t’i përmbahej të drejtës ndërkombëtare në lidhje me imunitetin e Shtetit, atëherë, si në rastin ku imuniteti i është dhënë vetë Shtetit, qëllimi i kufizimit të të drejtuarit në gjykatë është legjitim.
201. Meqenëse masat të cilat pasqyrojnë rregullat përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare publike rreth imunitetit të Shtetit në parim nuk mund të shihen si të tilla që imponojnë një ngushtim jo proporcional të së drejtës për t’u drejtuar në gjykatë, e vetmja çështje për shqyrtim në lidhje me ankesën e kërkuesit është nëse dhënia e imunitetit rationae materiae zyrtarëve të Shtetit i pasqyronte këto rregulla. Prandaj, Gjykata do të analizojë nëse ka pasur një rregullë të përgjithshme në kuadër të së drejtës ndërkombëtare publike që u kërkonte gjykatave vendase të mbështesnin pretendimin e Arabisë Saudite për imunitet Shteti në lidhje me zyrtarët e Shtetit; dhe, nëse po, a ka prova të ndonjë rregulle ose përjashtimi të veçantë në lidhje me rastet e pretendimeve për tortura.
(i) Ekzistenca e një rregulle të përgjithshme
202. Çështja e parë është nëse dhënia e imunitetit rationae materiae zyrtarëve të Shtetit pasqyron rregullat përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare publike. Gjykata ka pranuar më parë se dhënia e imunitetit Shtetit i pasqyron këto rregulla. Meqenëse një akt nuk mund të kryhet nga vetë Shteti por vetëm nga individët që veprojnë në emër të Shtetit, ku imuniteti mund të thirret nga Shteti, atëherë pika fillestare duhet të jetë që imuniteti rationae materiae u zbatohet akteve të zyrtarëve të Shtetit. Sikur të ishte ndryshe, imuniteti i Shtetit do të mund të anashkalohej duke paditur zyrtarët e emërtuar. Ky i kuptuar pragmatik pasqyrohet nga përkufizimi i “Shtetit” në Konventën e OKB-së të vitit 2004 (shih paragrafin 76 lart), e cila parashikon që termi përfshin përfaqësuesit e Shtetit që veprojnë në emër të tij. Raportuesi i Posaçëm i ILC-së, në raportin e tij të dytë, tha që “njihej mjaft gjerësisht” fakti që imuniteti i zyrtarëve të Shtetit ishte “norma”, dhe që mungesa e imunitetit në një çështje të caktuar varej nga përcaktimi i ekzistencës së një rregulle ose praktike dhe opinion juris ku tregohej se kishin dalë përjashtime nga rregulla e përgjithshme (shih paragrafin 96 lart).
203. Gjithashtu ka praktikë të gjerë gjyqësore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar e cila nxjerr përfundimin që aktet e kryera nga zyrtarët e Shtetit gjatë shërbimit të tyre duhet t’i atribuohen, për qëllime të imunitetit të Shtetit, Shtetit në emër të të cilit ata veprojnë. Kështu, në Propend, Gjykata e Apelit e Anglisë u shpreh që imunitetet dhënë Shtetit në përputhje me Ligjin e vitit 1978 duhet të lexohen si të tilla që u japin zyrtarëve të Shtetit “mbrojtje nën të njëjtën ombrellë që mbron vetë Shtetin” (shih paragrafët 42-43 lart). Në Kanada, Gjykata e Apelit në Jaffe arriti në përfundimin që nocioni i “Shtetit” në SIA mbulonte punonjësit e Shtetit që vepronin në kuadër të detyrave të tyre (shih paragrafin 127 lart). Në Fang, Gjykata e Lartë në Zelandën e Re u shpreh se imuniteti i Shtetit ofronte imunitet rationae materiae në paditë kundër individëve sjellja e të cilëve në ushtrimin e autoritetit të Shtetit vihej në pyetje (shih paragrafin 135 lart). Në Zhang, një Gjykatë Apeli në Australi u shpreh se zyrtarët individualë mbuloheshin nga Ligji i Imuniteteve meqenëse atyre u takonte imunitet në të drejtën zakonore dhe kjo nuk ishte ndryshuar nga Ligji (shih paragrafin 138 lart). Megjithëse Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara në Samantar u shpreh që zyrtarët nuk hynin brenda nocionit të “Shtetit” në kuptim të FSIA-s, ajo sqaroi se imunitetet e tyre qeveriseshin nga e drejta zakonore, sepse statuti vlerësohej se ishte vetëm një kodifikim i pjesshëm i rregullave të imunitetit në Shtetet e Bashkuara (shih paragrafin 122 lart). Gjykata e Apelit (Qarku i Katërt) më pas pranoi që, në parim, zyrtarët e Shtetit mund të gëzonin imunitet për akte të kryera në vazhdën e punësimit të tyre nga Shteti (shih paragrafët 122-124 lart). Në Blaškić, ICTY i përshkroi zyrtarët e Shtetit që veprojnë në cilësinë e tyre zyrtare si “thjesht instrumente të një Shteti” dhe shpjegoi që ata gëzonin “imunitet funksional” (shih paragrafin 81 lart). Në Xhibuti kundër Francës, ICJ iu referua mundësisë që kishte qeveria e Xhibutit për të pretenduar që aktet e dy zyrtarëve të Shtetit ishin vetë akte të saj, dhe që zyrtarët ishin organet, agjencitë apo instrumentalitetet e saj në kryerjen e tyre (shih paragrafët 86-87 lart).
204. Pesha e autoritetit në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar pra duket se mbështet pohimin që imuniteti i Shtetit në parim u ofron punonjësve ose zyrtarëve individualë të një Shteti të huaj mbrojtje në lidhje me aktet e ndërmarra në emër të Shtetit nën të njëjtën ombrellë që mbron vetë Shtetin.
(ii) Ekzistenca e një rregulle ose përjashtimi të veçantë në lidhje me aktet e torturave
205. Është e qartë nga ato që u thanë më lart se individët përfitojnë vetëm nga imuniteti i Shtetit rationae materiae aty ku aktet e vëna në diskutim janë kryer gjatë zhvillimit të detyrave të tyre zyrtare. Konventa e OKB-së për Imunitetet Juridiksionale u referohet përfaqësuesve të Shtetit “që veprojnë në atë cilësi” (shih paragrafin 76 lart). Pra fakti që nuk ka përjashtim të përgjithshëm jus cogens për sa i përket rregullave të imunitetit të Shtetit nuk është vendimtar për sa u përket pretendimeve kundër zyrtarëve të emërtuar të Shtetit.
206. Konventa kundër Torturës e përkufizon torturën si një akt i shkaktuar nga një “zyrtar publik ose person tjetër që vepron në cilësi zyrtare”. Ky përkufizim duket se i jep mbështetje argumentit që aktet e torturës mund të kryhen në “cilësi zyrtare” për qëllime të imunitetit të Shtetit. Është e vërtetë që arsyetimi i Gjyqtarit Mance pranë Gjykatës së Apelit në çështjen në fjalë linte të kuptohej se ai kishte dyshime nëse zyrtarët publike kanë qenë “duke vepruar në cilësi zyrtare” për të kryer tortura brenda kuptimit të nenit 1 të Konventës kundër Torturës (shih paragrafin 16 lart). Megjithatë, pas një shqyrtimi të gjerë të burimeve të së drejtës ndërkombëtare, arsyetimi u refuzua njëzëri nga Dhoma e Lordëve. Lordi Bingham, në mënyrë të veçantë, vuri në dukje që e vetmja praktikë gjyqësore mbi të cilën janë mbështetur kërkuesit për të përkrahur këtë argument, e cila ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara, nuk shprehte parimet gjerësisht të ndara dhe të respektuara mes kombeve të tjera (shih paragrafin 28 lart).
207. Draft Nenet mbi Përgjegjësinë e Shtetit, nga ana e tyre, parashikojnë atribuimin e akteve një Shteti, mbi bazën e faktit që ato janë kryer qoftë nga organet e Shtetit siç përkufizohen në nenin 4 të Draft Neneve (shih paragrafin 107 lart) ose nga persona të autorizuar nga ligjet e Shtetit për të ushtruar elemente të autoritetit qeveritar dhe që veprojnë në atë cilësi, siç përkufizohet nga neni 5 i Draft Neneve (shih paragrafin 108 lart). Kërkuesit nuk kërkojnë të mohojnë që aktet e torturave që supozohet t’u jenë shkaktuar atyre kanë angazhuar përgjegjësinë e Shtetit të Arabisë Saudite. Por duhet shënuar që Draft Nenet kanë të bëjnë vetëm me çështjen nëse një Shtet mban përgjegjësi për aktet e vëna në diskutim, sepse pasi konstatohet përgjegjësia e një Shteti, sipas të drejtës ndërkombëtare mund të shfaqet detyrimi për të ofruar zgjidhje për dëmin e shkaktuar. Nuk ka dyshime që individët në rrethana të caktuara gjithashtu mund të jenë personalisht përgjegjës për akte të gabuara të cilat angazhojnë përgjegjësinë e Shtetit, dhe që kjo përgjegjësi personale ekziston krahas përgjegjësisë së Shtetit për të njëjtat akte. Kjo përgjegjësi potencialisht e dyfishtë pasqyrohet në nenin 58 të Draft Neneve, ku parashikohet që rregullat e atribuimit nuk e paragjykojnë çështjen e përgjegjësisë personale sipas të drejtës ndërkombëtare të ndonjë personi që vepron në emër të Shtetit (shih paragrafin 109 lart). Shihet qartë në kontekstin penal, ku përgjegjësia penale individuale për akte të torturave ekziston krahas përgjegjësisë së Shtetit (shih paragrafët 44-56, 61 dhe 150-154 lart). Kështu, kur ekzistenca e përgjegjësisë penale individuale është e dukshme, edhe nëse natyra zyrtare e akteve pranohet për qëllime të përgjegjësisë së Shtetit, kjo në vetvete nuk është përfundimtare për sa i përket faktit nëse, sipas të drejtës ndërkombëtare, një pretendim për imunitet Shteti duhet të njihet gjithmonë në lidhje me të njëjtat akte.
208. Është diskutuar që çdo rregullë e të drejtës ndërkombëtare publike që u jep imunitet zyrtarëve të Shtetit është hequr me miratimin e Konventës kundër Torturës e cila, siç pretendohet, parashikon në nenin 14 të saj juridiksion civil universal. Ky argument gjen mbështetje nga Komiteti Kundër Torturës, çka mund të kuptohet si interpretim i atillë i nenit 14 që kërkon që Shteti të ofrojë zgjidhje civile në çështjet e torturave pavarësisht se ku janë shkaktuar ato (shih paragrafët 66-68 lart). Megjithatë, kërkuesit nuk kanë treguar ndonjë vendim të ICJ-së ose të tribunaleve ndërkombëtare arbitrare që ta ketë deklaruar këtë parim. Ky interpretim është refuzuar më tej nga gjykatat në Kanada dhe në Mbretërinë e Bashkuar (shih paragrafët 15, 29-30 dhe 128 lart). Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar rezervat e tyre për Konventën për të shprehur të kuptuarit e saj që dispozita kishte për qëllim vetëm të kërkonte zgjidhje për aktet e torturave të kryera brenda Shtetit forum (shih paragrafin 64 lart). Kështu që çështja nëse Konventa kundër Torturës i ka dhënë shkas juridiksionit civil universal është shumë larg vënies në vijë.
209. Instrumentet e të drejtës ndërkombëtare dhe materialet rreth imunitetit të Shtetit i kushtojnë vëmendje të paktë çështjes së imunitetit për zyrtarët e Shtetit për akte të torturave. Çështja nuk adresohet drejtpërdrejt në Konventën e Baselit e as në Konventën e OKB-së për Imunitetet Juridiksionale. Para miratimit të kësaj të fundit, një grup punues i ILC-së njohu ekzistencën e njëfarë mbështetjeje për pikëpamjen që zyrtarët e Shtetit nuk duhet të kishin të drejtë të pretendonin imunitet për akte torturash të kryera në territoret e tyre në procedura civile apo penale, por nuk propozoi amendament për Draft Nenet (shih paragrafin 79 lart). Ndërkohë që në këtë mënyrë u identifikua njëfarë lëvizjeje drejt përcaktimit të një përjashtimi nga imuniteti i Shtetit në këtë aspekt, u pranua që të mos kishte ende konsensus. Vlen të përmendet që tre prej katërmbëdhjetë Shteteve që janë palë në Konventën e OKB-së për Imunitetet Juridiksionale deklaruan që Konventa nuk paragjykonte zhvillimet në të drejtën ndërkombëtare në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut (shih paragrafin 80 lart). Një rezolutë e vitit 2009 e Institutit të së Drejtës Ndërkombëtare i nxiti Shtetet që të merrnin në konsideratë heqjen dorë nga imuniteti aty ku supozohej se ishin kryer krime ndërkombëtare nga agjentët e tyre; por ajo gjithashtu deklaroi që imuniteti rationae materiae nga juridiksioni, i përkufizuar si i tillë që përfshin juridiksionin civil, nuk zbatohej në rastet e krimeve ndërkombëtare. Rezoluta u shpreh se nuk paragjykonte rregullat mbi atribuimin e akteve Shtetit dhe rregullat mbi imunitetin e vetë Shtetit (shih paragrafët 103-106 lart). Në Furundzija, duke diskutuar efektin e natyrës jus cogens të ndalimit mbi torturën, ICTY komentoi që viktima e një mase të Shtetit që autorizonte apo lejonte torturën ose shfajësimi i kryesve “mund të nginte padi civile për dëmshpërblim në një gjykatë të huaj” (shih paragrafin 82 lart); nga vendimi nuk është e qartë se çfarë saktësisht ka dashur të thotë gjykata me këtë fjali. Gjyqtarët Higgins, Koojimans dhe Buergenthal në mendimet e tyre të përbashkëta dhënë ndaras në çështjen e Urdhërarrestit të ICJ-së gjithashtu iu referua pretendimeve në rritje që krimet e rënda ndërkombëtare nuk mund të shiheshin si akte zyrtare dhe vërejtën se kjo pikëpamje po gjente gradualisht shprehje në praktikën e Shtetit (shih paragrafin 85 lart), megjithëse në vendimin e Dhomës së Lordëve në çështjen në fjalë edhe Lordi Bingham edhe Lordi Hoffmann ofruan arsyetime ligjore se përse ata nuk ishin të bindur nga pretendime të tilla (shih, kryesisht, paragrafët 30 dhe 35 lart).
210. Duket se ka pak praktikë gjyqësore kombëtare në lidhje me paditë civilë të depozituara kundër zyrtarëve të emërtuar të Shtetit për shkelje jus cogens. Pak Shtete janë përballur me këtë çështje në praktikë. Përgjigjet e marra nga Qeveria përgjegjëse prej Shteteve të tjera të Këshillit të Evropës (shih paragrafin 110 lart) ishin së tepërmi hipotetike dhe nuk lejojnë nxjerrjen e ndonjë konkluzioni në lidhje me masën deri ku ligjet kombëtare e njohin natyrën zyrtare të akteve të torturës për qëllime të imunitetit të Shtetit. Megjithatë, ka shembuj të tjerë nga juridiksione të tjera të sistemit të së drejtës zakonore. Në Hashemi në Kanada, Gjykata e Apelit në Kebek gjeti që SIA u zbatohej agjentëve individualë të një Shteti të huaj edhe në një çështje që ka të bëjë me akuza për tortura. Ajo u mbështet në përkufizimin e torturës në Konventën kundër Torturës, në vendimin e saj të mëparshëm në Jaffe dhe në mendimin e Lordit Hoffmann në Dhomën e Lordëve në çështjen e kërkuesit (shih paragrafët 129-133 lart). Sidoqoftë, çështja momentalisht është në pritje para Gjykatës Supreme (shih paragrafin 134 lart). Në Zelandën e Re, Gjykata e Lartë në Fang po ashtu u mbështet në vendimin e Dhomës së Lordëve në çështjen e kërkuesve për të refuzuar argumentet në favor të një përjashtimi prej imunitetit të Shtetit në çështjet kundër zyrtarëve të Shtetit për tortura, duke e konsideruar të papërshtatshme që gjykatat në Zelandën e Re të “merrnin rol udhëheqës” në njohjen e tendencave të reja në të drejtën ndërkombëtare (shih paragrafët 135-136 lart). Në Australi, Gjykata e Apelit në Zhang refuzoi të pranonte argumentin që shkeljet jus cogens nuk mund të ishin akte zyrtare për qëllime të imunitetit të Shtetit, duke u mbështetur në natyrën e kthjellët të legjislacionit kombëtar dhe detyrimin e gjykatave australiane për t’i dhënë efekt atij ligji (shih paragrafët 138-139 lart).
211. Këtij diskutimi i është kushtuar më shumë vëmendje në Shtetet e Bashkuara. Pas gjetjes së Gjykatës së Apelit në Chuidian që termi “Shtet” në FSIA mund të mbulonte zyrtarët por që legjislacioni nuk do të mbronte veprime zyrtare përtej fushëveprimit të autoritetit të tij, Gjykatat Federale të Qarkut e kanë mohuar imunitetin në çështjet që kishin të bënin me tortura për shkak se aktet nuk mund të konsideroheshin që hynin brenda fushëveprimit të autoritetit të ligjshëm të zyrtarëve (shih paragrafin 119 lart). Pas kësaj, Gjykata të tjera të Apelit në Belhas dhe Matar dhanë imunitet rationae materiae në çështjet lidhur me akuzat për shkelje të normave jus cogens (shih paragrafët 120-121 lart). Megjithatë, autoriteti i këtyre vendimeve tani është i dyshimtë pas gjetjes së Gjykatë Supreme në Samantar që FSIA nuk vlente fare për zyrtarët e Shtetit dhe që çështja qeverisej vetëm nga e drejta zakonore (shih paragrafin 122 lart). Vendimi i kohëve të fundit i Gjykatës së Apelit në lidhje me shkallën e imuniteteve nga e drejta zakonore në Samantar ua refuzoi imunitetin rationae materiae zyrtarëve të Shtetit mbi bazën e faktit që shkeljet jus cogens nuk ishin akte legjitime zyrtare (shih paragrafët 122-124). Në datën e miratimit të vendimit në fjalë, çështja ishte në pritje para Gjykatës Supreme (shih paragrafin 125 lart).
212. Jashtë kontekstit civil, mund të gjendet njëfarë mbështetjeje për argumentin që tortura nuk mund të kryhet në “cilësi zyrtare” në çështje penale. Në Pinochet (Nr. 3), Lordët Browne-Wilkinson dhe Hutton konsideruan që kishte baza të forta mbi të cilat të thuhej se pas hyrjes në fuqi të Konventës kundër Torturës zbatimi i torturës nuk mund të ishte funksion i Shtetit (shih paragrafët 47-48 dhe 51 lart), megjithëse kjo nuk ishte qasja e preferuar nga gjyqtarë të tjerë në çështje (shih në mënyrë të veçantë mendimin e Lordit Hope në paragrafin 49 lart). Në Bouterse, Gjykata e Apelit e Amsterdamit u shpreh që kryerja e veprave shumë të rënda (në këtë rast tortura) nuk mund të konsiderohej të ishte një prej detyrave zyrtare të një kryetari Shteti (shih paragrafin 151 lart). Çështja u diskutua nga Gjykata Federale Penale zvicerane në çështjen A., megjithëse refuzimi i kërkesës për imunitet nuk mbështetej drejtpërdrejt mbi gjetjen që tortura nuk mund të ishte “akt zyrtar” (shih paragrafët 152-153 lart). Z. Kolodkin, i emëruar si Raportues i Posaçëm nga Komisioni Ndërkombëtar i Ligjeve në kontekst të studimit të tij për imunitetin e zyrtarëve të Shtetit nga juridiksioni penal i huaj, iu referua në raportin e tij të dytë pikëpamjes “goxha të përhapur” që krimet e rënda sipas të drejtës ndërkombëtare nuk mund të konsideroheshin si akte të kryera në cilësi zyrtare (shih paragrafin 99 lart). Megjithatë, deklarata nuk u prit me miratim njëzëri në ILC dhe në lidhje me këtë çështje priten komente të mëtejshme nga Raportuesja e re e Posaçme, Znj. Hernandez, në vitin 2014 (shih paragrafin 100 lart). Është e qartë se duke marrë parasysh mundësinë për viktimat në disa Shtete që të paraqesin pretendim civil për dëmshpërblim në kontekstin e procedurave penale, çdo ndryshim në qasjen ndaj imunitetit rationae materiae mes çështjeve civile dhe atyre penale do të ketë ndikim mbi masën deri ku kompensimi civil është i mundshëm në Shtete të ndryshme. Sidoqoftë, ndërkohë që kjo është çështje e cila pa dyshim kërkon reflektim të mëtejmë në kontekstin e vendimeve gjyqësore lidhur me imunitetin ose aktivitetet e organeve ndërkombëtare të së drejtës, ajo në vetvete nuk është arsye e mjaftueshme që kjo Gjykatë të gjejë që dhënia e imunitetit në rastin konkret nuk pasqyronte rregullat përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare publike.
213. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, ndërkohë që sipas mendimit të Gjykatës është duke u shfaqur njëfarë mbështetjeje për një rregullë ose përjashtim të veçantë në të drejtën ndërkombëtare publike në çështjet që kanë të bëjnë me pretendime civile për tortura të ngritura kundër zyrtarëve të huaj të Shtetit, pjesa më e madhe e autoritetit është, siç u shpreh Lordi Bingham në Dhomën e Lordëve në lidhje me çështjen në fjalë, e mendimit që e drejta e Shtetit për imunitet nuk mund të anashkalohet duke paditur shërbyesit ose agjentët e tij në vend të vetë Shtetit. Pas një vështrimi të pikave të forta të argumenteve të kërkuesve, ka prova të diskutimeve të kohëve të fundit rreth të kuptuarit të përkufizimit të torturës në Konventën kundër Torturës; ndërveprimi mes imunitetit të Shtetit dhe rregullave mbi atribuimin në Draft Nenet rreth Përgjegjësisë së Shtetit; dhe fushëveprimi i nenit 14 të Konventës kundër Torturës (shih paragrafët 206-208 lart). Megjithatë, praktika e Shtetit në lidhje me këtë pikë është në gjendje fluksi, me prova që tregojnë si dhënien ashtu edhe refuzimin e imunitetit rationae materiae në raste të tilla. Të paktën dy çështje të kësaj natyre janë në pritje para Gjykatave Supreme kombëtare: një në Shtetet e Bashkuara dhe tjetra në Kanada (shih paragrafët 125 dhe 134 lart). Mendimi ndërkombëtar në lidhje me këtë pikë mund të thuhet se po fillon të zhvillohet, siç tregohet kohët e fundit nga diskutimet rreth punës së Komisionit Ndërkombëtar të Ligjeve në sferën penale. Kjo punë është duke vazhduar dhe mund të priten zhvillime të mëtejshme.
214. Në rastin konkret, është e qartë se Dhoma e Lordëve është angazhuar plotësisht me të gjitha argumentet relevante për sa i përket ekzistencës, lidhur me pretendimet civile për shkaktimin e torturave, të një përjashtimi të mundshëm nga rregulla e përgjithshme e imunitetit të Shtetit (krahaso dhe bëj kontrastin Sabeh El Leil, cituar lart, §§ 63-67; Wallishauser, cituar lart, § 70; dhe Oleynikov, cituar lart, §§ 69-72). Në një vendim të gjatë dhe gjithëpërfshirës (shih paragrafët 24-38 lart) ajo arriti në përfundimin që e drejta ndërkombëtare nuk pranonte asnjë përjashtim – lidhur me akuzat për sjellje që shkon deri në tortura – nga rregulla e përgjithshme e imunitetit rationae materiae për zyrtarët e Shtetit në sferën e pretendimeve civile ku imuniteti gëzohet nga vetë Shteti. Gjetjet e Dhomës së Lordëve nuk ishin as dukshëm të gabueshme as arbitrare por ishin të bazuara mbi referenca të gjera në materialet e së drejtës ndërkombëtare dhe mbi shqyrtimin e argumenteve ligjore të kërkuesit dhe vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila kishte gjetur në favor të kërkuesve. Gjykata të tjera kombëtare kanë shqyrtuar me hollësi gjetjet e Dhomës së Lordëve në çështjen në fjalë dhe i kanë konsideruar ato gjetje të ishin shumë bindëse (shih paragrafët 131-133 dhe 135 lart).
215. Në këto rrethana, Gjykata është e bindur që dhënia e imunitetit zyrtarëve të Shtetit në çështjen në fjalë pasqyron rregullat përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare publike. Prandaj zbatimi i dispozitave të Ligjit të vitit 1978 për dhënien e imunitetit zyrtarëve të Shtetit në çështjet civile të kërkuesve nuk përbënte kufizim të pajustifikuar të mundësisë së kërkuesve për t’u drejtuar në gjykatë. Rrjedhimisht nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës në këtë rast. Megjithatë, duke pasur parasysh zhvillimet e tanishme që vazhdojnë në këtë fushë të së drejtës ndërkombëtare publike, kjo është një çështje të cilën Shtetet Kontraktuese duhet ta mbajnë nën shqyrtim.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, njëzëri, që t’i bashkojë kërkesat;
2. I deklaron, njëzëri, kërkesat të pranueshme;
3. Vendos, me gjashtë vota pro dhe një kundër, që nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës për sa i përket pretendimit të Z. Jones kundër Mbretërisë së Arabisë Saudite;
4. Vendos, me gjashtë vota pro dhe një kundër, që nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës për sa i përket pretendimeve të kërkuesve kundër zyrtarëve të emërtuar të Shtetit.
E bërë në anglisht, dhe e njoftuar me shkrim më 14 janar 2014, në pajtim me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Françoise Elens-PassosIneta Ziemele
KancelareKryetare
Në pajtim me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e ndara të Gjyqtarit Bianku dhe Gjyqtares Kalaydjieva vendosen në shtojcë të këtij vendimi.
I.Z.
F.E.P.
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglishtdhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy