JUPPALA kundër FINLANDËS
(kërkesa nr. 18620/03)
2 dhjetor 2008
procedura pwr shpifje në vijim të një kërkese për abuzim me fëmijën
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesja, Eine Juppala, është një shtetase finlandeze lindur në 1929 dhe jeton në Finlandë. Në 20 korrik 2000 kërkuesja çoi nipin 3 vjeç tek mjeku, për shkak të një dëmtimi në kurriz. Ajo ngriti shqetësimin se plaga ishte shkaktuar nga babai i fëmijës T. Ajo gjithashtu informoi doktorin se djali kishte thënë se ai ishte qëlluar me grusht. Mjeku shkroi në raportin e tij se dëmtimi ishte shkaktuar me një grusht dhe se pas intervistës, djali përsëriti se ishte qëlluar nga i ati. Më vonë atë ditë, mjeku lajmëroi shërbimin e mbrojtjes së fëmijës. Më 26 prill 2001 kërkuesja u akuzua për shpifje pasi ajo i kishte dhënë informacion mjekut, i cili kishte konkluduar se T. kishte rrahur të birin dhe se ajo nuk kishte dhënë asnjë arsye për të mbështetur këtë pretendim. T. iu bashkua procedurave në maj 2001 duke kërkuar kompensim për dëmin moral.
2. Pas një seance më 24 gusht 2001 gjykata e rrethit hodhi poshtë këtë akuzë: ajo konstatoi se nuk ishte e qartë nëse kërkuesja kishte nënkuptuar që djali ishte rrahur nga i ati, apo nëse raporti i mjekut përmbante përshtypjen e tij bazuar mbi diskutimin me kërkuesen dhe nipin e saj. Megjithatë ky vendim u hodh poshtë në apel dhe kërkuesja u shpall fajtore për shpifje. Ajo u urdhërua të paguante 3 365.67 euro kompensim për dëmin moral dhe shpenzimet ligjore. Gjykata e Apelit konstatoi në veçanti se fakti që kërkuesja kishte diskutuar dëmtimin me djalin, i cili ishte vetëm 3 vjeç, dhe se ai kishte thënë se babai i tij e kishte rrahur nuk përbënin arsye të mjaftueshme për pretendimin e abuzimit. As kërkuesja nuk kishte dhënë arsye të tjera për pretendimin e saj. Gjykata e lartë refuzoi apelin më 17 dhjetor 2002.
3. Mbështetur në nenin 10, kërkuesja u ankua për dënimin e saj për shpifje dhe pse ajo kishte dhënë vetëm ndershmërisht përshtypjen e saj për shkaqet e dëmtimit të nipit të saj.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje nenin 10
4. Palët ranë dakord se dënimi i kërkueses përbënte një ndërhyrje në lirinë e shprehjes dhe se ndiqte një qëllim legjitim, mbrojtjen e reputacionit ose të drejtat e të tjerëve. Gjykata pranoi se dënimi i kërkueses ishte parashikuar nga ligji. Ajo vërejti se çështja thelbësore ishte ekuilibri ndërmjet faktit kur një prind ishte potencialisht gabimisht i dyshuar për abuzim të fëmijës dhe duke parë vështirësitë, mbrojtja e fëmijëve në rrezik ndaj një abuzimi. Në veçanti, gjykata e pa si alarmues faktin që gjykata e apelit kishte marrë vendimin se, edhe pse nuk kishte asnjë dyshim që kërkuesja kishte parë shpinën e vrarë të nipit, ajo nuk kishte pasur të drejtë të përsëriste se çfarë i nipi i kishte thënë, pra që ai ishte rrahur nga i ati, një pretendim që ai e kishte përsëritur gjatë intervistës me mjekun. Për më tepër, ngritja e shqetësimit për abuzimin me fëmijën, bërë me mirëbesim, në kontekstin e një procedure raportimi të përshtatshme duhet ti mundësohet çdo individi, i cili nuk duhet të ketë frikë nga një dënim penal ose detyrim për të paguar kompensim për ndonjë dëm ose shpenzime ligjore. Gjykata konkludoi se arsyet e mjaftueshme nuk ishin sjellë dhe se ndërhyrja kishte dështuar për t’iu përgjigjur ndonjë nevoje sociale urgjente. Si pasojë neni 10 ishte shkelur.
B. Në lidhje me nenin 41
5. Gjykata i akordoi znj. Juppala 3 000 euro për dëmin moral dhe 3 616.41 euro për dëmin material si dhe 2 695.83 euro për shpenzimet e procesit.
Full & Egal Universal Law Academy