KAÇIU DHE KOTORRI kundër SHQIPËRISË
(nr. 33192/07 dhe 33194/07)
25 qershor 2013
kjo çështje merret me kriteret që zbatohen për cilësimet juridike të akteve sipas nenit 3 dhe me parimin që provat që përftohen si pasojë e një trajtimi në kundërshtim me nenin 3 nuk mund të përdoren në procedurat gjyqësore
I. Faktet kryesore
1.Kërkuesit, Olsi Kaçiu dhe Elidon Kotorri, janë dy shtetas shqiptarë që kanë lindur respektivisht më 1979 dhe 1975. Z. Kaçiu jeton në Tiranë ndërsa Z. Kotorri në kohën e vendimit të Gjykatës po vuante një dënim me burgim të përjetshëm në burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit[1].
2.Më 11 janar 2000, tre persona u vranë dhe një u plagos rëndë. Në vendin e ngjarjes policia gjeti një numër objektesh, duke përfshirë dy kapuça dhe doreza në të cilat u gjetën flokë. Tre muaj pas incidentit, kërkuesit u arrestuan. Kërkuesi i parë pohoi se gjatë marrjes në pyetje, ai kishte qenë subjekt i dhunës serioze dhe për pasojë kishte bërë deklarata që inkriminonin edhe kërkuesin e dytë. Më tej, ai pohoi se i ishte mohuar takimi me një avokat gjatë dy javëve të para. Kërkuesi i dytë deklaroi se atij i ishin shkulur flokët me dhunë dhe pa pëlqimin e tij për të bërë testin e ADN-së dhe se ai kishte qenë rrahur dhe lënë pa ujë dhe pa ushqim.
3.Kërkuesi i parë u shpall fajtor se nuk kishte raportuar një vepër penale ndërsa kërkuesi i dytë u shpall fajtor për disa akuza, si vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Çështja ndaj tyre u rigjykua dy herë për shkak të problemeve me provat, por të dy rigjykimet u mbyllën me dënimin e të dy kërkuesve.
4.Kërkuesi i parë u ankua për keqtrajtim nga policia dhe për mungesë të hetimeve efektive në lidhje me pretendimet e tij.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me shkeljet materiale dhe procedurale të nenit 3
5.Gjykata vërejti se, pavarësisht nga mungesa e ndonjë përshkrimi të plagëve dhe dëmtimeve të marra, kërkuesi kishte ngritur më shumë se një "pretendim të arsyeshëm" përpara autoriteteve vendase se ai ishte rrahur rëndë gjatë kohës së qëndrimit të tij në paraburgim. Pretendimi i tij krijon prezumimin që kërkuesi i ishte nënshtruar keqtrajtimit të parashikuar nga neni 3 në duart e funksionarëve publikë dhe në këto kushte i takonte Qeverisë të jepte një shpjegim bindës se si mund të ishte shkaktuar rrahja e pretenduar. Qeveria nuk i paraqiti Gjykatës asnjë shpjegim se si mund të ishin shkaktuar plagët e pretenduara nga kërkuesi i parë.
6.Duke pasur parasysh se kërkuesi i parë në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha shkallët e procedimit në Shqipëri kishte insistuar se ai ishte rrahur brutalisht dhe se autoritetet shqiptare nuk kishin marrë asnjë masë për t’i hetuar këto pretendime, ishte e arsyeshme që kërkuesi të presupozonte se mjetet e brendshme juridike nuk do të ishin efektive dhe për këtë arsye nuk mund të pritej që ai të shteronte mjetet kombëtare. Për këtë arsye, Gjykata pranoi se ai kishte pësuar një trajtim në kundërshtim me nenin 3 dhe që, në provat dhe pretendimet e paraqitura nga kërkuesi i parë, ata ishin aq të rënda sa të përbënin torturë sipas kuptimit të nenit 3. Gjykata u shpreh se një situatë e tillë nxirrte në pah edhe një shkelje procedurale të nenit 3 përderisa asnjë masë efektive hetimore nuk ishte marrë në lidhje me pretendimet e kërkuesit të parë.
B. Në lidhje me nenin 5
7.Pretendimet e kërkuesve sipas nenit 5 u shpallën të papranueshme për shkak të mos-shterimit të mjeteve të brendshme juridike.
C. Në lidhje me nenin 6
i. në lidhje me përdorimin e provave të marra si pasojë e shkeljes së nenit 3 dhe pa praninë e avokatit
8.Gjykata mori në shqyrtim një sërë argumentesh sipas nenit 6. Së pari, ajo u shpreh se pranimi si provë nga ana e gjykatave të brendshme e deklaratave të bëra nga kërkuesi i parë si rezultat i torturës përbënte shkelje të nenit 6 § 1, përderisa një deklaratë e bërë në kushte të tilla e bën gjithmonë në tërësi procedurën të padrejtë.
9.Për më tepër, deklarata për heqjen dorë nga e drejta për të pasur akses tek një avokat, nuk mund të jetë e vlefshme, pasi heqja dorë është bërë si rezultat i trajtimit në kundërshtim me nenin 3, si rrjedhojë, ka pasur shkelje të Nenit 6 §§ 1 dhe 3 (c) në lidhje me kërkuesin e parë. Kjo shkelje u konsiderua veçanërisht e rëndë nga Gjykata pasi deklaratat, të bëra pa praninë e një avokati dhe si rezultat i keqtrajtimit, ishin baza e vetme për dënimin e 2 kërkuesve. Deklaratat e marra si pasojë e një trajtimi në kundërshtim me nenin 3 gjithmonë i bëjnë procedurat të padrejta, aq më tepër kur bëhen pa praninë e avokatit, pavarësisht nga vlera provuese apo karakteri përcaktues i këtyre deklaratave në vendimin e gjykatave penale.
10. Në lidhje me provat kundër kërkuesit të dytë, të cilat ishin treguar nga kërkuesi i parë si pasojë e trajtimit në kundërshtim me nenin 3, Gjykata vlerësoi se procesi gjyqësor ndaj kërkuesit të dytë, në tërësinë e tij, ishte i padrejtë për shkak të pranimit dhe përdorimit të tyre për fajësimin e kërkuesit të dytë.
ii. në lidhje me gjykimin nga një gjykatë e krijuar me ligj për shkak të transferimit të gjyqtarëve të Gjykatës Ushtarake të Apelit Tiranë
11. Në lidhje me kërkesën e bërë nga të dy kërkuesit, që përbërja e trupit gjykues në Gjykatën e Apelit me datë 2.12.2004, nuk ishte e ligjshme për shkak se disa prej gjyqtarëve në trupin gjyqësor që mori vendimin ishte transferuar nga gjykata ushtarake, Gjykata vuri në dukje se transferimi ishte bërë në përputhje me dispozitat ligjore. Gjithashtu, ajo vuri re se gjyqtarët ushtarakë kishin të njëjtin status, përgatitje, trajnim dhe garanci pavarësie si gjyqtarët e tjerë të Gjykatës së Apelit. Përveç kësaj, Gjykata konstatoi se arsyeja për transferimin ishte pikërisht fakti që të gjithë 16 gjyqtarët e tjerë në Gjykatën e Apelit kishin qenë të përfshirë më herët në gjykimin e çështjes së kërkuesve, pra transferimi ishte bërë për të garantuar paanshmërinë e trupit gjykues. Këto elementë bënin që transferimi i gjyqtarëve të mos përbënte asnjë problem nën këndvështrimin e nenit 6.
iii. në lidhje me kohëzgjatjen e procedurës
12. Në përgjigje të argumentit të kërkuesve se procedura kishte zgjatur për një periudhë të paarsyeshme kohore, Gjykata vuri në dukje se procedura kishte filluar më 18 prill 2000 dhe kishte përfunduar më 6 shkurt 2007. Kjo periudhë e gjatë ishte për shkak të rikthimeve të shumta të çështjes nga gjykatat më të larta tek ato më të ulëta, diçka që Gjykata e ka shqyrtuar tashmë në një rast të mëparshëm kundër Shqipërisë[2]. Në veçanti, pas seancës së parë të Gjykatës së Lartë, çështja u kthye në Gjykatën e Rrethit për rigjykim por procedurat e reja nuk i respektuan udhëzimet e Gjykatës së Lartë. Ky fakt e vonoi procedurën për rreth dy vjet. Kjo vonesë i atribuohet tërësisht gjykatave të brendshme dhe për këtë arsye ka pasur shkelje të nenit 6 § 1.
D. Në lidhje me nenin 6 § 2
13. Kërkuesit pretenduan se fushata mediatike kundër tyre përbënte shkelje të së drejtës për prezumimin e pafajësisë. Gjykata e hodhi poshtë këtë pretendim të kërkuesve me arsyetimin se neni 6 § 2 nuk mund të pengojë informimin e publikut mbi hetimet ose proceset gjyqësore penale në vijim e sipër. Megjithatë ajo theksoi se raportimi i procedurave gjyqësore duhet bërë me të gjithë diskrecionin dhe maturinë e nevojshme që të respektohet prezumimi i pafajësisë dhe media të mos kapërcejë kufijtë e caktuar në interes të administrimit të duhur të drejtësisë, veçanërisht kur seancat janë publike.
E. Në lidhje me nenin 7
14. Pretendimi i kërkuesit të dytë se ai ishte dënuar në zbatim prapaveprues të ligjit penal u gjet i papranueshëm për shkak të mosshterimit të mjeteve të brendshme ligjore.
F. Në lidhje me nenin 41
15. Kërkuesit të parë iu akorduan 15,600 euro në lidhje me dëmin jopasuror. Në lidhje me kërkuesit e dytë, Gjykata u shpreh se konstatimi i shkeljes përbën një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm. Në lidhje me shkeljen e nenit 6, Gjykata theksoi se kërkuesve duhet tu krijohet mundësia e rihapjes së procesit në ngarkim të tyre.
[1] Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë të 5.11.2014 kërkuesi i dytë po e vuan dënimin aktualisht në IEVP Fushë-Krujë.
[2] Bëhet fjalë për vendimin e 18.12.2007 në çështjen Marini k. Shqipërisë.
Full & Egal Universal Law Academy