SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA KAREMANI KUNDËR SHQIPËRISË
(Kërkesa nr. 48717/08)
VENDIM
STRASBURG
25 shtator 2018
Ky vendim është bërë i formës së prerë, por ai mund të bëhet objekt i rishikimit redaktues.
Në çështjen Karemani kundër Shqipërisë,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur si një Komision i përbërë nga:
Jon Fridrik Kjølbro, kryetar,
Ledi Bianku,
Ivana Jelić, gjyqtarë,
dhe Hasan Bakırcı, nënsekretar Seksioni,
Pasi diskutuan me dyer të mbyllura në datën 4 shtator 2018,
Shpall vendimin më poshtë, i cili u miratua në po atë datë:
PROCEDURA:
1. Çështja filloi me një kërkesë (nr. 48717/08) kundër Republikës së Shqipërisë paraqitur në Gjykatë, më 29 shtator 2008, sipas nenit 34, të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”), nga një shtetas shqiptar, z. Gazmir Karemani (“kërkuesi”).
2. Kërkuesi u përfaqësua nga z. H. Demaj, një avokat i cili ushtron profesionin në Vlorë. Qeveria shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjenti i saj, në atë kohë, znj. L. Mandia, nga Avokatura e Shtetit.
3. Kërkuesi u ankua për padrejtësi në procedime, të zhvilluara në mungesë, dhe për shkeljen e të drejtave të tij për mbrojtje.
4. Në datën 26 qershor 2012, kërkesa iu komunikua Qeverisë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesi ka lindur në vitin 1979. Aktualisht, ai po vuan një dënim me burgim.
6. Më 17 prill 1999, Gjykata e Rrethit Fier (“Gjykata e Rrethit”), në vijim të procedimeve në të cilat kërkuesi nuk mori pjesë, dënoi kërkuesin dhe dy të bashkëpandehurit e tjerë për një sërë veprash të rënda penale. Ajo e dënoi kërkuesin me vdekje, në mungesë.
7. Më 1 qershor 1999, Gjykata e Apelit Vlorë (“Gjykata e Apelit”), në vijim të apelimeve të paraqitura nga dy të bashkëpandehurit e tjerë, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit të datës 17 prill 1999.
8. Më 8 maj 2001, në vijim të apelimeve të paraqitura nga të bashkëpandehurit e kërkuesit, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimet e gjykatave më të ulëta. Megjithatë, ajo e dënoi kërkuesin me burgim të përjetshëm.
9. Më 1 dhjetor 2006, kërkuesi u ekstradua në Shqipëri nga Italia. Në po të njëjtën ditë, ai u njoftua për dënimin ndaj tij, në mungesë.
A. Kërkesa për rivendosje në afat të apelimit
10. Më 8 dhjetor 2006, kërkuesi paraqiti një kërkesë në Gjykatën e Rrethit për rivendosje në afat të apelimit.
11. Më 25 janar 2007, Gjykata e Rrethit rrëzoi kërkesën, duke konstatuar se vendimi i Gjykatës së Lartë i datës 8 maj 2001, ishte bërë res judicata, dhe se për pasojë, kërkuesi nuk mund të gjykohej për herë të dytë për të njëjtën vepër.
12. Më 8 qershor 2007 dhe 2 korrik 2010, në vijim të apelimeve të kërkuesit, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, respektivisht, e lanë atë vendim në fuqi.
13. Më 8 qershor 2011, kërkuesi paraqiti një apelim kushtetues ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 2 korrik 2010. Ai u ankua edhe për padrejtësi në procedime, të zhvilluara në mungesë.
14. Më 21 shtator 2011, Gjykata Kushtetuese, e mbledhur si një trup gjykues i plotë, e kundërshtoi ankesën me shumicë. Ajo konstatoi se ankesa e kërkuesit ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, i datës 2 korrik 2010, ishte dukshëm i pambështetur në fakte. Për sa i përket ankesës së tij për padrejtësi në procedime, në mungesë, dhe pushimit të kërkesës së tij për rivendosje në afat të apelimit nga gjykatat vendase, Gjykata Kushtetuese vërejti se kërkuesi nuk ishte ankuar për vendimet e gjykatave vendase të marra në mungesë (shih paragrafët 6-8 më sipër). Më tej, ajo konstatoi se ankesa, në çdo rast, ishte e parashkruar. Po ashtu, ajo arsyetoi se në çështjen konkrete, vendimi i unifikuar i Gjykatës së Lartë nr. 1, i datës 20 janar 2011, ishte i zbatueshëm (shih Izet Haxhia kundër Shqipërisë, nr. 34783/06, §§ 28–31, 5 nëntor 2013). Gjithashtu, ajo vërejti se edhe pse apelimet në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të gjykatave më të ulëta ishin paraqitur nga të bashkëpandehurit dhe jo nga kërkuesi, Gjykata e Lartë kishte shqyrtuar dhe ndryshuar vendimet e gjykatave më të ulëta të datës 17 prill dhe 1 qershor 1999, edhe në lidhje me kërkuesin.
B. Procedimet paralele kushtetuese të apelimit
15. Në një datë të papërcaktuar në vitin 2007, kërkuesi paraqiti një apelim kushtetues ndaj vendimit të Gjykatës së Rrethit të datës 17 Prill 1999, ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 1 qershor 1999 dhe ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 8 maj 2001, duke u ankuar për dënimin e tij, në mungesë.
16. Më 21 shtator 2007, Gjykata Kushtetuese pushoi apelimin sepse ishte dorëzuar përtej afatit, duke pasur parasysh se afati dy-vjeçar kishte filluar të përllogaritej që prej datës 8 maj 2001. Vendimi iu komunikua avokatit të kërkuesit më 25 shtator 2007.
II. LIGJI DHE PRAKTIKA PËRKATËSE E BRENDSHME
17. Ligji dhe praktika përkatëse e brendshme, në periudhën në fjalë, përshkruhen me detaje te Shkalla kundër Shqipërisë, nr. 26866/05, §§ 28–35, 10 maj 2011, dhe Izet Haxhia kundër Shqipërisë, nr. 34783/06, §§ 19–42, 5 nëntor 2013.
18. Kërkuesi, pa u mbështetur në ndonjë nen specifik, u ankua për padrejtësi në procedime, të mbajtura në mungesë, dhe për shkelje të të drejtave të tij për t’u mbrojtur. Gjithashtu, ai kërkoi rihapjen e procedimeve. Gjykata është e mendimit se ankesat e kërkuesit duhet të shqyrtohen në mbështetje të nenit 6 §§ 1 dhe 3 (c) të Konventës, i cili parashikon, në pjesët e veta përkatëse, si më poshtë:
“1. Në përcaktimin e … çdo akuze penale kundër tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, … nga një gjykatë ...
...
3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
...
c) të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij ose, në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë…”
19. Qeveria kundërshtoi se nuk ishte shkelur asnjë e drejtë e kërkuesit.
A. Pranueshmëria
20. Qeveria parashtroi se kërkesa ishte dorëzuar përtej afatit gjashtëmujor të parashikuar në Kushtetutë, teksa periudha gjashtëmujore kishte filluar të përllogaritej që prej datës 25 shtator 2007, kohë në të cilën avokati i kërkuesit ishte informuar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të datës 21 shtator 2007 (shih paragrafin 16 më sipër).
21. Kërkuesi parashtroi se ai kishte shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme efikase. Ai kishte paraqitur një kërkesë për apelim përtej afatit dhe një ankesë kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese, nga të cilat asnjëra nuk kishte rezultuar efikase.
22. Gjykata vëren se një kundërshtim i tillë ngre pikëpyetje në lidhje me efikasitetin e mjetit të referuar nga Qeveria.
23. Më 21 shtator 2007, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi apelimin e kërkuesit me pretendimin se ishte i parashkruar. Gjykata qëndron në vërejtjen se tek Izet Haxhia (cituar më sipër, § 50), ajo gjykoi se përpara datës 26 nëntor 2009, Gjykata Kushtetuese nuk ishte një mjet efikas. Për këtë arsye, Gjykata duhet të marrë në konsideratë efikasitetin e mjetit të brendshëm, i cili faktikisht u shfrytëzua nga kërkuesi, më konkretisht një kërkesë për rivendosje në afat të apelimit.
24. Gjykata, duke marrë në konsideratë mungesën e konsekuencës në zbatimin e ligjit të brendshëm, në kohën në fjalë (shih Izet Haxhia, cituar më sipër §§25–34), për sa i përket kërkesës për rivendosje në afat të apelimit, konstaton se kërkesa për rivendosje në afat të apelimit , në parim, ishte një mjet i përshtatshëm për situatën e kërkuesit dhe efikas në teori. Ajo arrin në përfundimin se një kërkesë për rivendosje në afat të apelimit mund të garantojë një mjet në lidhje me ankesat e tij.
25. Gjykata vëren se kërkuesi e paraqiti kërkesën e tij më 29 shtator 2008. Në atë kohë, procedimet e brendshme për kërkesën për rivendosje në afat të apelimit ishin ende pezull (shih paragrafët 10-14 më sipër). Në momentin kur çështja i ishte komunikuar Qeverisë, më 26 qershor 2012, këto procedime kishin përfunduar. Megjithatë, kërkuesi ishte përballur me një refuzim (shih paragrafin 12 më sipër). Gjykatat vendase arsyetuan se dënimi në mungesë kërkonte zbatimin res judicata. Në vendimin e saj të datës 21 shtator 2011, Gjykata Kushtetuese po ashtu gjykoi se përderisa të bashkëpandehurit e tjerë kishin apeluar kundër procedimeve në tërësi, kërkuesi nuk mund të aplikonte për rivendosje në afat të apelimit (shih paragrafin 14 më sipër).
26. Për të gjitha arsyet e mësipërme, Gjykata konstaton se kërkimi konkret ishte dorëzuar brenda periudhës gjashtëmujore, ndërsa vendimi i formës së prerë ishte marrë të paktën më 2 korrik 2010. Për këtë arsye, Gjykata e rrëzon kundërshtimin e Qeverisë.
27. Gjykata vëren se kërkesa është dukshëm e mbështetur në fakte, sipas kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Më tej, ajo vëren se nuk është i papranueshëm për ndonjë arsye tjetër (shih Delijorgji kundër Shqipërisë, nr. 6858/11, §§, 54–55, 28 prill 2015). Për këtë arsye, duhet të deklarohet i pranueshëm.
B. Themeli
28. Kërkuesi parashtroi se procedimet ndaj tij kishin qenë të padrejta, sepse ishin mbajtur në mungesë. As ai dhe as familjarët e tij nuk kishin pasur dijeni për hetimin dhe gjykimin ndaj tij. Ai ishte informuar vetëm kur u ekstradua në Shqipëri. Ai kurrë nuk kishte hequr dorë nga e drejta e tij për t’u paraqitur në gjykatë.
29. Qeveria pretendonte se kërkesa për rivendosje në afat të apelimit ishte deklaruar e papranueshme nga gjykatat vendase. Në vijim, Qeveria theksoi se Gjykata Kushtetuese kishte gjykuar se apelimi kushtetues kishte qenë i parashkruar.
30. Gjykata thekson se parimet e përgjithshme në lidhje me procedimet në mungesë, parashikohen si më poshtë te Sejdovic kundër Italisë (ëDHM], nr. 56581/00, §§ 82–95, GJEDNJ 2006-II):
“82. Edhe pse procedimet të cilat mbahen në mungesë të të pandehurit në vetvete nuk janë në papajtueshmëri me nenin 6 të Konventës, mohimi i drejtësisë gjithsesi, pa dyshim, ndodh në rastin kur një person i dënuar në mungesë nuk mundet të marrë nga një gjykatë, e cila e ka dëgjuar, një përcaktim të ri të themelit të akuzës, si për ligjin edhe për faktin, në rastin kur nuk është vërtetuar se ai ka hequr dorë nga e drejta e tij për t’u paraqitur dhe për të mbrojtur veten (shih Colozza, cituar më sipër, § 29; Einhorn kundër Francës (vendim), nr. 71555/01, § 33, GJEDNJ 2001-XI; Krombach kundër Francës, nr. 29731/96, § 85, GJEDNJ 2001-II; dhe Somogyi kundër Italisë, nr. 67972/01, § GJEDNJ 2004-IV) ose se ai ka pasur për qëllim t’i shpëtojë gjykimit (shih Medenica, cituar më sipër, § 55).
83. Konventa i lejon Shteteve Kontraktuale një diskrecion të gjerë në lidhje me zgjedhjen e mjeteve të përllogaritura për të garantuar se sistemet e tyre ligjore janë në përputhje me kërkesat e nenit 6. Detyra e Gjykatës është të përcaktojë nëse është arritur rezultati i kërkuar nga Konventa. Veçanërisht, mjeti procedural i ofruar nga ligji dhe praktika e brendshme duhet të paraqitet si efikas në rastin kur një person i akuzuar për një vepër penale as nuk ka hequr dorë nga e drejta e tij për t’u paraqitur dhe për të mbrojtur veten, dhe as nuk është përpjekur t’i shpëtojë gjykimit (shih Somogyi, cituar më sipër, § 67).
84. Në vijim, Gjykata gjykon se detyra për të garantuar të drejtën e një të pandehuri të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit – ose gjatë procedimeve fillestare ose në gjatë rigjykimit – renditet si një nga kërkesat thelbësore të nenit 6 (shih Stoichkov kundër Bullgarisë, nr. 9808/02, § 56, 24 mars 2005). Për këtë arsye, refuzimi për të rihapur procedimet e realizuara në mungesë të të pandehurit, pa asnjë tregues se i pandehuri ka hequr dorë nga e drejta e tij ose e saj për t’u paraqitur në gjykim, është konstatuar të jetë një “mohim flagrant i drejtësisë”, duke bërë që procedimet të jenë “dukshëm në kundërshtim me parashikimet e nenit 6 ose me parimet e përcaktuara në të” (ibid., §§ 54–58).
85. Gjykata gjykon edhe se rihapja e kohës së lejuar për të apeluar ndaj një dënimi në mungesë, në rastin kur të pandehurit i është dhënë e drejta për të ndjekur seancën në gjykatën e apelit dhe për të kërkuar pranimin e provave të reja, ka passjellë mundësinë për një përcaktim të ri faktik dhe ligjor të akuzës penale, kështu që procedimet në tërësi mund të thuhet se kanë qenë të drejta (shih Jones kundër Mbretërisë së Bashkuar (vendim), nr. 30900/02, 9 shtator 2003).”
31. Për sa i përket ankesës së kërkuesit për një shkelje të të drejtave të tij për t’u mbrojtur, Gjykata përsërit se garancitë në paragrafin 3 të nenit 6 janë aspekte specifike të së drejtës për një gjykim të drejtë parashikuar në paragrafin 1. Në këto rrethana, Gjykata konstaton së është e panevojshme të shqyrtohet lidhja e paragrafit 3 me çështjen, duke qenë se pretendimet e kërkuesit, në çdo rast, orientohen drejt ankesës se procedimet ishin të padrejta. Për këtë arsye, ajo do ta mbyllë shqyrtimin e saj në atë pikë (shih Shkalla, cituar më sipër, §67).
32. Gjykata vëren se në çështjen konkrete, kërkuesi u gjykua dhe u dënua në mungesë. Nuk është provuar se kërkuesi kishte mjaftueshëm dijeni – ose, edhe më keq, nëse kishte marrë ndonjëherë dijeni – për procedimet ligjore ndaj tij. Në fakt, u gjykua se ai nuk ishte informuar për dënimin në mungesë deri më 1 dhjetor 2006, kur iu dorëzua autoriteteve shqiptare (shih paragrafin 9 më sipër). Për pasojë, nuk ishte provuar se ai kishte hequr dorë, pa mëdyshje, nga e drejta e tij për t’u paraqitur në gjykatë, duke iu shmangur drejtësisë qëllimisht (shih Izet Haxhia, cituar më sipër, § 63).
34. Për këtë arsye, ka pasur një shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës.
III. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
35. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
36. Kërkuesi kërkonte 100,000 euro (EUR) për dëmin monetar dhe 50,000 euro për dëmin jo monetar.
37. Qeveria nuk parashtroi komente.
38. Gjykata nuk konstaton ndonjë lidhje të rastësishme midis shkeljes së gjetur dhe dëmit monetar të pretenduar; për këtë arsye ajo e rrëzon këtë pretendim.
39. Gjykata mban qëndrimin se konstatimi i një shkelje përbën mjaftueshëm dëmshpërblim të drejtë një çështjen konkrete.
40. Gjithashtu, Gjykata nënvizon konstatimet e saj te Shkalla (cituar më sipër, §§ 77–79), dhe Izet Haxhia (cituar më sipër, § 70), se në rastin kur një kërkues është dënuar në shkelje me të drejtat e tij ose të saj, të garantuara nga neni 6 i Konventës, forma më e përshtatshme e korrigjimit, do të ishte që të garantohej se kërkuesi të vendoset sa më larg të jetë e mundur nga pozicioni, në të cilin ai ose ajo do të ishte, në rast se nuk do të zbatohej kjo dispozitë. Forma më e përshtatshme e korrigjimit, në parim, do të ishte një gjykim i ri dhe rihapja e procedimeve, nëse do të kërkohej një gjë e tillë.
B. Kostot dhe shpenzimet
41. Kërkuesi kërkonte që edhe rimbursimi i tarifave të avokatit të përllogaritej në përputhje me ligjin e brendshëm.
42. Qeveria nuk parashtroi ndonjë koment.
43. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, një kërkuesi i jepet e drejta për rimbursimin e kostove dhe të shpenzimeve për aq sa ato provohen se janë kryer në fakt, dhe se kanë qenë të nevojshme për t’u kryer, dhe se janë të arsyeshme sipas shumës dëmshpërblyese. Kjo do të thotë se kërkuesi duhet t’i ketë paguar ato ose se është i detyruar t’i paguajë, sipas një detyrimi ligjor ose kontraktual, dhe se faktikisht ato kanë qenë të pashmangshme, për të parandaluar shkeljet e konstatuara ose për të përfituar kompensimin (shih Gjyli kundër Shqipërisë, nr. 32907/09, § 72, 29 shtator 2009). Gjykata kërkon fatura të detajuara, të cilat kanë mjaftueshëm të dhëna për t’i mundësuar të përcaktojë se deri në çfarë mase janë përmbushur kërkesat e mësipërme (shih Rregullin 60 të Rregullores së Gjykatës).
44. Në çështjen konkrete, Gjykata vëren se kërkuesi nuk paraqiti prova (fatura), ku të provohej se kostot dhe shpenzimet ishin bërë pavarësisht edhe pse ishte dhënë dijeni për kërkesat përkatëse me anë të shkresës së Zyrës së Regjistrimit, të datës 21 janar 2013.
43. Në mungesë të dokumenteve mbështetëse të paraqitura nga kërkuesi, Gjykata nuk do të marrë asnjë vendim në lidhje me kostot dhe shpenzimet (shih, midis shumë të tjerëve, Musci kundër Italisë [DHM], nr. 64699/01, § 150, GJEDNJ 2006-V (ekstrakte) K.U. kundër Finlandës, nr. 2872/02, § 58, GJEDNJ 2008; Saliyev kundër Rusisë, nr. 35016/03, § 81, 21 tetor 2010; dhe si një shembull i kohëve të fundit, Goryachkin kundër Rusisë, nr. 34636/09, § 87, 15 nëntor 2016).
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NË MËNYRË UNANIME,
1. E deklaron kërkesën të pranueshme;
2. Gjykon se ka pasur një shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës;
3. Gjykon se konstatimi i një shkelje përbën në vetvete mjaftueshëm kompensim të drejtë për dëmin jo monetar të paguar nga kërkuesi;
4. Rrëzon pretendimin e kërkuesit për kompensim të drejtë.
Hartuar në anglisht dhe njoftuar me shkrim, në datën 25 shtator 2018, bazuar në Rregullin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Hasan Bakırcı
KRYESEKRETAR
Jon Fridrik Kjølbro
KRYETAR
Full & Egal Universal Law Academy