KHLAIFIA DHE TË TJERË kundër ITALISË
(kërkesë nr. 16483/12)
15 dhjetor 2016
Dhomë e Madhe
dëbimi dhe riatdhesimi në Tunizi i emigrantëve të parregullt, të cilët kishin arritur në brigjet italiane në shtator të vitit 2011
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesit, Saber Ben Mohamed Ben Ali Khlaifia, Fakhreddine Ben Brahim Ben Mustapha Tabal dhe Mohamed Ben Habib Ben Jaber Sfar, janë shtetas tunizianë, të lindur respektivishtnë vitin 1983, 1987 dhe 1988. Të gjithë jetojnë në Tunizi.
2. Më 16 dhe 17 shtator 2011 ata u larguan nga Tunizia me anijet e improvizuara, drejt bregdetit italian. Anijet e tyre u ndaluan nga autoritetet italiane, dhe u shoqëruan për në ishullin Lampedusa. Më pas u transferuan në Qendrën e Pritjes dhe të Ndihmës së Parë ("QPNP") në ishullin Lampedusa, ku autoritetet proceduan me identifikimin e tyre. Kërkuesit pohuan se Qendra ishte e mbipopulluar, me higjenë të papranueshme, hapësirë joadekuate për të fjetur dhe se nuk kishin kontakt me personat jashtë për shkak të mbikëqyrjes së vazhdueshme policore.
3. Pas një revolte të personave të ndaluar në këtë qendër, më 20 shtator, QPNP-ja pësoi dëmtime nga zjarri dhe u shkatërrua pjesërisht. Kërkuesit u transferuan në një park sportiv për natën, ku mundën të shmangnin forcat e zbatimit të ligjit që i mbikqyrnin dhe arritën në fshatin Lampedusa. Më pas u bashkuan në një demonstratë me pothuajse 1 800 emigrantë të tjerë. Pasi u ndaluan nga policia, kërkuesit fillimisht u shoqëruan në qendren e pritjes e më pas në aeroportin e Lampedusës, nga ku u dërguan për në Palermo më 22 shtator 2011. Në Palermo kërkuesit qëndruan për disa ditë në dy anije të ankoruara në portin e qytetit. Kërkuesi i parë qëndroi në bordin e anijes Vincent, së bashku me rreth 190 persona të tjerë, ndërsa kërkuesi i dytë dhe i tretë qëndruan në bordin e anijes Audace, me rreth 150 të tjerë.Më 27 dhe 29 shtator 2011 kërkuesit u dëbuan për në Tunizi. Para se të largoheshin ata u intervistuan nga konsulli tunizian, i cili sipas kërkuesve thjesht regjistroi të dhënat e tyre të gjendjes civile.
4. Gjithashtu, kërkuesit pohuan se gjatë qëndrimit të tyre në Itali, ata nuk ishin pajisur në asnjë moment me ndonjë dokument. Në përgjigje të pretendimeve të kërkuesve, Qeveria paraqiti tre urdhra për refuzimin e hyrjes të datës 27 dhe 29 shtator 2011, që ishin lëshuar në lidhje me kërkuesit. Këto urdhra, të cilat ishin pothuajse identikë, shoqëroheshin secili me nga një shënim njoftimi me të njëjtin shkrim dore, ku thuhej "personi refuzoi të nënshkruante ose të merrte një kopje". Me arritjen e tyre në aeroportin e Tunizisë, kërkuesit u liruan.
5. Më 1 shtator 2015, një Dhomë e Gjykatës konstatoi se kishte pasur shkelje të nenit 5 paragrafi 1, 2 dhe 4 të Konventës dhe shkelje të nenit 3 të Konventës në lidhje me kushtet e ndalimit në QPNP, por nuk konstatoi shkelje të nenit 3 në lidhje me kushtet e ndalimit në bordin e anijeve. Gjithashtu ajo vërejti se kishte pasur shkelje të nenit 4 të Protokollit 4, të nenit 13 të marrë në lidhje me nenin 3 të Konventës dhe nenit 4 të Protokollit 4. Me kërkesë të Qeverisë, çështja iu referua Dhomës së Madhe sipas nenit 43.
6. Kërkuesit pretendonin se mbyllja e tyre, fillimisht në një qendër pritjeje për emigrantët e paligjshëm dhe më pas në dy anije cenonte nenet 3 dhe 5 të Konventës. Gjithashtu, ata argumentuan se kishin qenë subjekt i dëbimit kolektiv dhe se kuadri ligjor italian nuk parashikonte asnjë mjet efektiv për të kundërshtuar shkeljen e të drejtave të tyre themelore.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 5
7. Në kundërshtim me argumentin e qeverisë, Gjykata u shpreh se marrëveshja dypalëshe e prillit 2011 midis Italisë dhe Tunizisë, nuk mund të konsiderohej se përbënte një bazë ligjore për ndalimin e kërkuesve në QPNP, duke pasur parasysh se marrëveshja nuk ishte bërë publike e për rrjedhojë ishte e paaksesueshme për kërkuesit, të cilët nuk mund të kishin parashikuar pasojat e zbatimit të saj. Përveç kësaj, kërkuesit nuk kishin gëzuar as garancitë themelore të habeas corpus siç është kërkesa që çdo kufizim i lirisë personale duhet të bazohet në një vendim të arsyetuar të një autoriteti gjyqësor dhe se çdo masë e përkohshme e ndërmarrë nga një autoritet policor, duhet më pas të aprovohet nga një vendim i autoritetit gjyqësor.Në rastin në fjalë, nuk kishte asnjë autoritet gjyqësor apo administrativ që të aprovonte me një vendim ndalimin e kërkuesve.
8. Duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata konstatoi se heqja e lirisë së kërkuesve nuk mund të konsiderohej "e ligjshme" në kuptim të nenit 5 § 1, pasi nuk respektonte parimin e përgjithshëm të sigurisë juridike dhe nuk ishte në përputhje me qëllimin e mbrojtjes së individit kundër arbitraritetit. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 5 § 2
9. Gjykata vuri në dukje, duke u nisur nga konstatimi i saj sipas nenit 5 § 1, se ndalimi i kërkuesve nuk kishte bazë ligjore të qartë dhe të aksesueshme në të drejtën italiane, autoritetet nuk mund t’i kishin njoftuar kërkuesit për arsyet ligjore të ndalimit të tyre apo t’i informonin lidhur me mundësinë për të kundërshtuar arsyet e ndalimit përpara një gjykate. Rrjedhimisht, konstatoi se kishte pasur shkelje të nenit 5 § 2.
C. Në lidhje me nenin 5 § 4
10. Duke pasur parasysh konstatimin e saj sipas nenit 5 § 2 se, arsyet ligjore për ndalimin e kërkuesve në QPNP dhe në anije nuk u ishin njoftuar atyre, Gjykata arriti në përfundimin se e drejta e kërkuesve për të kundërshtuar ndalimin e tyre ishte zhveshur nga efektiviteti i saj. Kështu, kishte pasur shkelje të nenit 5 § 4.
D. Në lidhje me nenin 3
11. Për sa i përket kushteve të ndalimit të kërkuesve në QPNP të Lampedusas, Gjykata konstatoi se liria e lëvizjes që ata gëzonin në atë qendër, duhet ta kishte lehtësuar pjesërisht apo në një masë të konsiderueshme kufizimin e shkaktuar nga fakti se kapaciteti maksimal i qendrës ishte tejkaluar. Ajo pranoi se kjo qendër nuk ishte e përshtatshme për qëndrime disa ditore dhe autoritetet italiane kishin detyrimin për t’i transferuar të ndaluarit në vende të përshtatshme. Megjithatë, duke marrë parasysh se QPNP-ja ishte djegur vetëm dy apo tre ditë pas mbërritjes së kërkuesve, nuk mund të supozohej se autoritetet italiane kishin qenë joaktive ose neglizhente apo që emigrantët duhej të ishin transferuar në më pak se dy deri në tre ditë. Për më tepër, Gjykata vuri në dukje se kërkuesit nuk pretendonin të ishin keqtrajtuar qëllimisht nga autoritetet gjatë qëndrimit në QPNP, apo se ushqimi dhe uji ishte i pamjaftueshëm, apo klima në atë kohë kishte ndikuar negativisht kur atyre u ishte dashur të flinin jashtë. Për më tepër kërkuesit nuk përfshiheshin në asnjë nga kategoritë e personave vulnerabël. Duke marrë parasysh sa më sipër, Gjykata konstatoi se trajtimi për të cilin kërkuesit ankoheshin nuk e kalonte nivelin e ashpërsisë që kërkohet nga neni 3 i Konventës.
12. Sa i përket kushteve të qëndrimit në të dyja anijet, Gjykata hodhi poshtë pretendimet e kërkuesve për keqtrajtim pasi ato ishin të pa mbështetura në raporte që vërtetoninekzistencën e shenjave apo pasojave të tjera të keqtrajtimit të pretenduar, apo në dëshmi të personave të tjerë që të vërtetonin faktet e pretenduara prej tyre. Përkundrazi, qeveria i paraqiti Gjykatës një vendim gjyqësor të datës 1 qershor 2012, që kundërshtonte pretendimet e kërkuesve në lidhje me gjykatësin e hetimeve paraprake të Palermos. Lidhur me këtë, kërkuesit nuk kishin ofruar dëshmi që të bindnin Gjykatën për të vënë në pikëpyetje paanësinë e gjyqtarit të lart përmendur. Rrjedhimisht Gjykata vendosi se nuk kishte pasur shkelje të nenit 3.
E. Në lidhje me nenin 4 të Protokollit 4
13. Gjykata theksoi se neni 4 i Protokollit 4 nuk garantonte të drejtën për një intervistë individuale në të gjitha rrethanat. Kërkesat e kësaj dispozite mund të plotësohen kur çdo i huaj ka një mundësi objektive dhe efektive për të paraqitur argumente kundër dëbimit të tij ose të saj. Në rastin në fjalë, Gjykata konstatoi se kërkuesit kishin patur mundësinë të njoftonin autoritetet për arsyet se pse duhet të qëndronin në Itali apo pse nuk duhet të ktheheshin në Tunizi, gjatë dy procedurave të identifikimit që u ishin nënshtruar, ose në çdo kohë tjetër gjatë kohës që qëndruan në Itali. Për më tepër, natyra relativisht e thjeshtë dhe e standartizuar e urdhrave të refuzimit të hyrjes, mund të shpjegohet me faktin se kërkuesit nuk kishin dokumente të vlefshme udhëtimi dhe nuk kishin pretenduar se i frikësoheshin keqtrajtimit në rast të kthimit të tyre apo nëse kishte pengesa të tjera ligjore për dëbimin e tyre. Kështu, dëbimi i njëkohshëm i tre kërkuesve nuk përbënte dëbim "kolektiv" por ishte rezultat i një serie urdhërash individual të refuzimit të hyrjes. Rrjedhimisht, Gjykata u shpreh se nuk kishte pasur shkelje të nenit 4 të Protokollit 4.
F. Neni 13 i marrë së bashku me nenin 3
14. Gjykata vërejti se nuk ishte paraqitur para saj asnjë dëshmi për ekzistencën e mjeteve ligjore në dispozicion të kërkuesve, për tu ankuar në lidhje me kushtet në të cilat ishin mbajtur të ndaluar. Kundërshtimi i urdhrave të refuzimit të hyrjes tek Drejtësia e Paqes së Agrixhendos shërbente vetëm për të kundërshtuar ligjshmërinë e dëbimit së tyre. Për më tepër, këto urdhra u lëshuan vetëm në fund të periudhës së ndalimit. Rrjedhimisht, Gjykata u shpreh se kishte pasur shkelje të nenit 13 i marrë së bashku me nenin 3 të Konventës.
G. Neni 13 i marrë së bashku me nenin 4 të Protokollit 4
15. Gjykata vuri në dukje se,në urdhrat për refuzimin e hyrjes citohej shprehimisht mundësia e personave për të apeluar kundër tyre tek Drejtësia e Paqes të Agrixhentos. Në këtë kontekst, gjyqtari mund të shqyrtojë çfarëdo ankese lidhur me mosmarrjen parasysh të situatës personale të emigrantit e për rrjedhojë, për natyrën "kolektive" të dëbimit. Për sa i përket mungesës së efektit pezullues të mjetit ankimor të sipërpërmendur, Gjykata vlerësoi se kjo nuk përbënte në vetvete shkelje të nenit 13 të Konventës, kur, si në rastin konkret, kërkuesit nuk pretendonin se ekzistontenjë rrezik real i shkeljes së të drejtave të garantuara me nenet 2 ose 3 në vendin e destinacionit. Prandaj, nuk kishte pasur shkelje të nenit 13 të Konventës, i marrë së bashku me nenin 4 të Protokollit 4.
H. Në lidhje me nenin 41
16. Gjykata vendosi që secilit prej kërkuesve ti akordohej një shumë prej 2 500 euro për dëmin jomaterial dhe 15 000 euro të treve sëbashku për kostot dhe shpenzimet.
Full & Egal Universal Law Academy