© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information, see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements, veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA KONONOV k. LETONISË
(Kërkesëpadi nr. 36376/04)
VENDIM
STRASBURG
17 maj 2010
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Kononov k. Letonisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Jean-Paul Costa, kryetar,
Christos Rozakis,
Nicolas Bratza,
Peer Lorenzen,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Ireneu Cabral Barreto,
Dean Spielmann,
Renate Jaeger,
Sverre Erik Jebens,
Dragoljub Popović,
Päivi Hirvelä,
Ledi Bianku,
Zdravka Kalaydjieva,
Mihai Poalelungi,
Nebojša Vučinić, gjyqtarë,
Alan Vaughan Lowe, gjyqtar ad hoc,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e shqyrtoi çështjen në seancë të mbyllur më 20 maj 2009 dhe 24 shkurt 2010,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të çështjes ndodhet një kërkesëpadi (nr. 36376/04) e drejtuar kundër Republikës së Letonisë dhe me anë të së cilës një shtetas i Federatës së Rusisë, Z. Vasilij Kononov (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 27 gusht 2004 në përputhje me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësi është përfaqësuar nga Z. M. Ioffe, avokat që e ushtron profesionin në Rigë. Qeveria letone (“Qeveria e paditur”) është përfaqësuar nga agjentja e saj, Znja I. Reine. Qeveria e Federatës së Rusisë, e cila ka ushtruar të drejtën e saj për ndërhyrje në përputhje me nenin 36 § 1 të Konventës, e ka bërë këtë përmes përfaqësuesit të Federatës së Rusisë pranë Gjykatës, Z. G. Matjushkin.
3. Paditësi ankohej në veçanti se dënimi për krime lufte që i ishte dhënë atij si pjesëmarrës në një ekspeditë ushtarake më 27 maj 1944 ishte në kundërshtim me nenin 7 të Konventës.
4. Kërkesa i është caktuar Seksionit të Tretë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 20 shtator 2007, pas një seance kushtuar pranueshmërisë dhe themelit të saj (neni 54 § 3 i Rregullores), ajo është shpallur pjesërisht e pranueshme nga një dhomë e seksionit të lartpërmendur, e përbërë nga Boštjan M. Zupančič, kryetar, Corneliu Bîrsan, Elisabet Fura-Sandström, Alvina Gyulumyan, Egbert Myjer, David Thór Björgvinsson dhe Ineta Ziemele, gjyqtarë, si edhe nga Santiago Quesada, sekretar seksioni.
5. Më 24 korrik 2008, dhoma ka dhënë një vendim ku, me katër vota në favor dhe tre kundër, ajo dilte në përfundimin se kishte pasur shkelje të nenit 7 të Konventës dhe se ishte me vend që paditësit t’i jepej një shpërblim i drejtë.
6. Më 24 tetor 2008, Qeveria e paditur ka kërkuar kalimin e çështjes në Dhomën e Madhe (neni 43 i Konventës). Më 6 janar 2009, një kolegj i Dhomës së Madhe e ka pranuar këtë kërkesë (neni 73 i Rregullores).
7. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 27 §§ 2 e 3 të Konventës dhe 24 të Rregullores. Pastaj është tërhequr Znja Ineta Ziemele, gjyqtare e zgjedhur në lidhje me Letoninë (neni 28 i Rregullores) dhe Qeveria e paditur ka caktuar Z. Vaughan Lowe, profesor i së drejtës ndërkombëtare publike në Universitetin e Oksfordit, për të marrë pjesë në cilësinë e gjyqtarit ad hoc (nenet 27 § 2 i Konventës dhe 29 § 1 i Rregullores). Është tërhequr edhe Z. Boštjan M. Zupančič, kryetar i ish-Seksionit të Tretë, dhe atë e ka zëvendësuar Z. Nebojša Vučinić, zëvendësgjyqtar.
8. Me një letër të datës 6 prill 2009, kryetari i Dhomës së Madhe i ka dhënë leje Qeverisë lituane që të paraqesë komente me shkrim rreth çështjes (neni 44 § 3 a) i Rregullores). Qeveria e Federatës së Rusisë e ka ushtruar nga ana e saj të drejtën e vet për të ndërhyrë në procedurën përpara Dhomës së Madhe (neni 44 i Rregullores).
9. Paditësi dhe Qeveria e paditur kanë depozituar secili nga një përkujtesë rreth themelit të çështjes dhe qeveritë e Federatës së Rusisë e të Republikës së Lituanisë kanë paraqitur komente me shkrim.
10. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 20 maj 2009 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë e paditur
ZnjaI. Reine, agjente,
ZnjaK. Inkuša,
Z.W. Schabas, avokatë ;
– për paditësin
Z.M. Ioffe, avokat,
ZnjaM. Zakarina,
Z.Y. Larine, këshilltarë;
– për Qeverinë e Federatës së Rusisë
Z.G. Matjushkin, përfaqësues i Qeverisë,
Z.M. Mihajlov,
Z.P. Smirnov, këshilltarë.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Z. Ioffe, Znjës Reine, Z. Schabas dhe Z. Matjushkin.
11. Meqenëse kryetari i Dhomës së Madhe i ka dhënë leje paditësit për të futur në dosje disa komente shtesë ditën e seancës, edhe Qeveria e paditur e Qeveria e Federatës së Rusisë kanë depozituar pastaj disa komente si përgjigje.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
12. Paditësi ka lindur më 1923 në rrethin e Ludzës, në Letoni. Ai ka pasur shtetësinë letone deri sa një dekret i posaçëm t’i jepte shtetësinë ruse në vitin 2000.
A. Ngjarjet përpara 27 majit 1944
13. Në gusht 1940, Letonia u bë pjesë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (“BRSS”) nën emërtimin “Republika Socialiste Sovjetike e Letonisë” (RSS e Letonisë”). Më 22 qershor 1941, Gjermania sulmoi BRSS-në. Përballë përparimit të forcave gjermane, ushtrisë sovjetike iu desh të largohej nga rajoni balt dhe të tërhiqej në Rusi.
14. Paditësi, i cili jetonte në atë kohë në një krahinë kufitare, e ndoqi atë lëvizje. Më 5 korrik 1941, e gjithë Letonia u gjend e pushtuar nga forcat gjermane. Pas mbërritjes së tij në BRSS, paditësi u mobilizua si ushtar në ushtrinë sovjetike më 1942 dhe u caktua në regjimentin rezervist të divizionit leton. Nga viti 1942 deri më 1943, ai ndoqi një përgatitje të veçantë për misione sabotimi, ku mësoi të organizojë e të drejtojë operacione komando në prapavijat e armikut. Në përfundim të kësaj stërvitjeje, ai mori gradën e rreshterit. Në qershor 1943, ai u hodh me parashutë, bashkë me nja njëzet ushtarë të tjerë, në territorin bjellorus, atëherë të pushtuar nga Gjermania, në afërsi të kufirit me Letoninë, pra të krahinës së vendlindjes së tij. Ai u bë pjesëtar i një çete me “partizanë të kuq” (luftëtarë sovjetikë që bënin luftë partizane kundër forcave gjermane). Në mars 1944, ai u caktua prej dy eprorëve të tij të drejtpërdrejtë në krye të një skuadre e cila, sipas tij, kishte kryesisht si objektiva sabotimin e objekteve ushtarake, të linjave të komunikacionit dhe të pikave gjermane të furnizimit, nxjerrjen e trenave nga shinat dhe përhapjen e propagandës politike në gjirin e popullsisë vendase. Kështu ai paska qenë përgjegjës për nxjerrjen e gjashtëmbëdhjetë trenave ushtarakë nga shinat dhe për shkatërrimin e dyzet e dy objektivave ushtarakë gjermanë.
B. Ngjarjet e 27 majit 1944, ashtu siç i kanë përcaktuar juridiksionet e brendshme
15. Në shkurt 1944, ushtria gjermane zbuloi dhe asgjësoi një grup partizanësh të kuq, të udhëhequr nga komandanti Çugunov, i cili ishte fshehur në ahurin e Meikuls Krupniksit, në fshatin Mazie Bati. Administrata ushtarake gjermane u kishte dhënë disa burrave nga Mazie Bati nga një pushkë e dy granata secilit. Me dyshimin se fshatarët kishin spiunuar për llogari të gjermanëve dhe ua kishin dorëzuar atyre njerëzit e Çugunovit, paditësi dhe anëtarët e njësitit të tij vendosën të kryenin një aksion reprezaljesh.
16. Më 27 maj 1944, të armatosur e të veshur me uniforma të Wehrmacht-it për të mos ngjallur dyshime, ata depërtuan në fshatin Mazie Bati. Fshatarët po përgatiteshin për të festuar Rrëshajat. Njësiti u nda në disa grupe të vogla, të cilët sulmuan secili nga një shtëpi, nën urdhrat e paditësit.
17. Disa partizanë hynë me dhunë te fshatari Modests Krupniks, zunë armët që gjetën në shtëpinë e tij dhe i dhanë urdhër të dilte në oborr. Ngaqë ai u lutej të mos e vrisnin para syve të fëmijëve të tij, ata e detyruan të vraponte në drejtim të pyllit, pastaj e qëlluan me disa të shtëna. Krupniksi u la i plagosur rëndë rrëzë pyllit, ku vdiq të nesërmen në mëngjes.
18. Dy grupe të tjera partizanësh të kuq sulmuan shtëpitë e dy fshatarëve të tjerë të quajtur Meikuls Krupniks e Ambrozs Buļs. I pari, i kapur teksa po lahej në banjë, u rrah egërsisht. Pasi i sekuestruan armët e gjetura te të dy fshatarët, partizanët i çuan ato në shtëpinë e Meikuls Krupniksit, ku qëlluan me disa breshëri plumbash mbi Ambrozs Buļsin si edhe mbi Meikuls Krupniksin e të ëmën e tij. Meikuls Krupniksi dhe e ëma u plagosën rëndë. Pastaj partizanët i lagën shtëpinë dhe ngrehinat e tjera të fermës me benzinë dhe u vunë atyre flakën. Gruaja e Krupniksit, nëntëmuajshe shtatzënë, arriti të shpëtonte, por partizanët e zunë përsëri dhe e hodhën nga dritarja brenda shtëpisë së përflakur. Të nesërmen në mëngjes, të mbijetuarit gjetën ato çka kishin mbetur nga trupat e shkrumbuar të katër viktimave; kufoma e Znjës Krupniks u identifikua në saje të skeletit të karbonizuar të foshnjës që prehej përbri saj.
19. Një grup i katërt partizanësh vërshoi në shtëpinë e Vladislavs Šķirmantsit, kur ky ndodhej në shtrat me të birin e tij njëvjeçar. Pasi zbuluan një pushkë dhe dy granata të fshehura në fund të një rafti, partizanët e nxorën Šķirmantsin në oborr. Si e kyçën portën nga jashtë për të mos e lënë Znjën Šķirmants të shkonte pas të shoqit, ata e morën këtë të fundit në një cep të largët të oborrit dhe e vranë. Një grup i pestë sulmoi shtëpinë e Juliāns Šķirmantsit. Pasi gjetën dhe sekuestruan aty një pushkë e dy granata, partizanët e shpunë Juliāns Šķirmantsin në plevicë, ku e ekzekutuan. Një grup i gjashtë iu sul shtëpisë së Bernards Šķirmantsit. Partizanët sekuestruan armët që zbuluan aty, e vranë atë, plagosën të shoqen dhe u vunë zjarrin të gjitha godinave të fermës. Gruaja e Šķirmantsit u dogj për së gjalli bashkë me kufomën e të shoqit.
20. Prokuroria pohoi gjithashtu se partizanët e kishin plaçkitur fshatin (duke vjedhur veshmbathje dhe ushqime), por kjo pikë nuk u përmend as nga Dhoma e Çështjeve Penale e Gjykatës së Lartë (“Dhoma e Çështjeve Penale”), as nga Senati i Gjykatës së Lartë, përderisa vendimet e tyre bëjnë fjalë vetëm për sekuestrimin e armëve.
C. Versioni i paditësit
21. Përpara dhomës, paditësi e ka mohuar rrjedhën e fakteve ashtu siç e kishin përcaktuar atë gjykatat e brendshme dhe i ka parashtruar ato si më poshtë vijon.
22. Të gjithë fshatarët e vdekur ishin bashkëpunëtorë e tradhtarë që ia kishin dorëzuar në shkurt 1944 gjermanëve skuadrën e komandant Çugunovit (ku kishte edhe gra e një fëmijë të mitur). Tri gra – e ëma e Meikuls Krupniksit, bashkëshortja e tij dhe ajo e Bernards Šķirmantsit – e kishin siguruar skuadrën e Çugunovit se Wehrmacht-i ndodhej larg, por Šķirmantsi e kishte dërguar Krupniksin të njoftonte forcat gjermane. Sapo kishin mbërritur, ushtarët gjermanë i kishin vënë flakën ahurit (ku qëndronte e fshehur skuadra) duke e mitraluar me plumba zjarrvënës. Ata pjesëtarë të skuadrës që ishin përpjekur të shpëtonin, ishin vrarë. E ëma e Krupniksit u kishte marrë kufomave palltot. Komanda ushtarake gjermane i kishte shpërblyer fshatarët në fjalë, duke u dhënë dru për ngrohje, sheqer, alkool dhe një shumë të hollash. Meikuls Krupniksi dhe Bernards Šķirmantsi ishin Schutzmänner (forca ndihmëse të policisë gjermane).
23. Më 27 maj 1944, rreth një javë para ngjarjeve që janë objekt i këtij konflikti, paditësi dhe të gjithë burrat e skuadrës së tij ishin thirrur nga komandanti i tyre. Ky i kishte informuar se ishin të ngarkuar të zbatonin vendimin për dënimin e banorëve të Mazie Batit që ishin përzier në tradhtinë ndaj grupit të Çugunovit, vendim që ishte shpallur nga një gjykatë ushtarake ad hoc. Më konkretisht, ata duhej “t’i sillnin gjashtë Schutzmänner-at e Mazie Batit për t’u gjykuar”. Meqenëse paditësi nuk kishte pranuar ta drejtonte operacionin (ngaqë fshatarët e njihnin që fëmijë dhe ai druhej për sigurinë e prindërve të tij të cilët banonin në fshatin fqinj), komandanti ia kishte besuar misionin një partizani tjetër dhe ai që i kishte dhënë urdhrat kishte qenë ky i fundit.
24. Më 27 maj 1944, paditësi kishte shkuar pas njerëzve të njësitit të tij. Ai vetë nuk ishte futur në fshat, por ishte fshehur pas një kaçube, nga ku mund ta vëzhgonte shtëpinë e Modests Krupniksit. Pas pak, kishte dëgjuar britma e të shtëna armësh dhe kishte dalluar të dilte tym. Një çerek ore më pas, partizanët ishin kthyer vetëm. Njëri prej tyre kishte qenë i plagosur në krah; një tjetër mbante gjashtë pushkë, dhjetë granata dhe një numër të madh fishekësh që ishin sekuestruar te shtëpitë e fshatarëve. Njerëzit e njësitit i kishin shpjeguar më vonë që nuk kishin mundur ta kryenin misionin sepse “fshatarët ia kishin mbathur duke shtënë kundër tyre dhe pastaj kishin mbërritur gjermanët”. Njësiti i paditësit nuk e kishte plaçkitur Mazie Batin. Kur partizanët ishin kthyer në bazë, komandanti i kishte qortuar rëndë që nuk i kishin sjellë me vete personat e kërkuar.
D. Ngjarjet e mëvonshme
25. Në korrik 1944, Ushtria e Kuqe hyri në Letoni dhe, më 8 maj 1945, territori leton kaloi nën kontrollin e forcave sovjetike.
26. Pas përfundimit të luftës, paditësi qëndroi në Letoni. Për trimëritë e tij ushtarake, ai u dekorua me Urdhrin e Leninit, dekorata më e lartë sovjetike. Në nëntor 1946, ai u pranua në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Më 1957, ai u diplomua në shkollën e lartë të Ministrisë së Brendshme të BRSS-së. Pas kësaj e deri kur doli në pension më 1988, ai punoi si oficer në degë të ndryshme të policisë sovjetike.
27. Më 4 maj 1990, Këshilli Suprem i RSS të Letonisë miratoi « Deklaratën për rivendosjen e pavarësisë së Republikës së Letonisë”, duke e shpallur të paligjshëm e të pavlefshëm aneksimin e Letonisë në BRSS më 1940 dhe duke ua rikthyer fuqinë ligjore dispozitave themelore të Kushtetutës së vitit 1922. Në të njëjtën ditë, ai miratoi “Deklaratën për anëtarësimin e Republikës së Letonisë në instrumentet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut”. “Anëtarësimi” i shpallur nga kjo deklaratë nënkuptonte pranimin e njëanshëm e solemn të vlerave të sanksionuara nga tekstet në fjalë. Më vonë, Letonia nënshkroi dhe ratifikoi sipas procedurës së caktuar shumicën e konventave të përmendura në atë deklaratë.
28. Më 21 gusht 1991, pas dy tentativash të dështuara për grusht shteti, Këshilli Suprem miratoi një ligj kushtetues lidhur me statusin shtetëror të Republikës së Letonisë dhe shpalli pavarësinë e plotë dhe të menjëhershme të vendit.
29. Më 22 gusht 1996, Parlamenti leton miratoi “Deklaratën rreth pushtimit të Letonisë”. Sipas këtij teksti, aneksimi i territorit leton nga BRSS-ja më 1940 përbënte një “pushtim ushtarak” dhe një “aneksim të paligjshëm”. Për sa i takonte rimarrjes së këtij territori nga BRSS-ja në fundin e Luftës së Dytë Botërore, ajo u cilësua si “rivendosje e një regjimi pushtimi”.
E. Dënimi i paditësit
1. Hetimi i parë paraprak dhe procesi
30. Në korrik 1998, Qendra e Dokumentimit për Pasojat e Totalitarizmit, me seli në Letoni, i përcolli Prokurorisë së Përgjithshme letone një dosje hetimore (rreth ngjarjeve të 27 majit 1944). Në gusht 1998, paditësi u mor si i pandehur për krime lufte. Në tetor 1998, ai u nxor përpara Gjykatës së shkallës së parë të Rajonit Qendror të Rigës, e cila urdhëroi që ai të vihej në paraburgim. Në dhjetor 1998, prokuroria hartoi aktakuzën përfundimtare dhe ia dërgoi dosjen Gjykatës së Qarkut të Rigës.
31. Procesi u mbajt përpara Gjykatës së Qarkut të Rigës më 21 janar 2000. Paditësi deklaroi se ishte i pafajshëm. Ai përsëriti versionin e tij lidhur me rrjedhën e fakteve të ndodhura më 27 maj 1944, duke ripohuar me force se të gjitha viktimat e sulmit ishin Schutzmänner të armatosur. Ai mohoi çdo përzierje personale në ngjarjet objekt konflikti. Për sa u takonte dokumenteve të shumta (kryesisht artikuj shtypi) që dëshmonin për të kundërtën, ai shpjegoi se në atë kohë kishte pranuar me dashje njëfarë shtrembërimi të fakteve historike, me qëllim që të fitonte prej tyre lavdi dhe të nxirrte kështu disa përfitime personale.
32. Gjykata e Qarkut qe e mendimit se dosja përmbante prova të shumta të fajësisë së të interesuarit dhe se ky i fundit kishte kryer veprime të ndaluara nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare (më poshtë, “GjUN”) të Nurembergut, nga Konventa e Katërt e Hagës e vitit 1907 dhe nga Konventa e Katërt e Gjenevës e vitit 1949. Ajo e shpalli paditësin fajtor për veprat penale të parashikuara nga neni 68-3 i Kodit Penal të vitit 1961 dhe e dënoi atë me gjashtë vjet burgim. Si paditësi, ashtu edhe prokuroria, e apeluan vendimin.
33. Me një vendim të datës 25 prill 2000, Dhoma e Çështjeve Penale e Gjykatës së Lartë e shfuqizoi këtë vendim dhe ia dërgoi dosjen Prokurorisë së Përgjithshme për plotësim hetimesh. Ajo vlerësoi se arsyetimi i vendimit kishte mangësi dhe se, sidomos, juridiksioni i shkallës së parë nuk u kishte dhënë dot përgjigje disa pyetjeve vendimtare, konkretisht atyre nëse Mazie Bati ndodhej apo jo në “territor të pushtuar” në kohën e ngjarjeve, nëse paditësi dhe viktimat e tij mund të konsideroheshin ose jo përkatësisht si “luftëtarë” dhe “jo luftëtarë”, dhe nëse fakti që administrata ushtarake gjermane i kishte armatosur fshatarët do të kishte sjellë si pasojë barazimin e tyre me “robër lufte” në rast arrestimi. Ajo shprehu përveç kësaj mendimin se prokuroria ishte dashur të konsultohej me ekspertë të fushës së historisë dhe të së drejtës penale ndërkombëtare. Së fundi, ajo urdhëroi lirimin e menjëhershëm të paditësit.
34. Me një vendim të datës 27 qershor 2000, Senati i Gjykatës së Lartë e hodhi poshtë rekursin e prokurorisë, duke e shfuqizuar njëkohësisht vërejtjen e Dhomës lidhur me nevojën e një ekspertize, me vlerësimin se çështjet ligjore i takonin si kompetencë vetëm gjyqtarëve.
2. Hetimi i dytë paraprak dhe procesi
35. Më 17 maj 2001, pas një hetimi tjetër, paditësi u akuzua sërish sipas nenit 68-3 të Kodit Penal të vitit 1961.
36. Çështja u gjykua nga Gjykata e Qarkut të Latgales, e cila dha vendim më 3 tetor 2003. Ajo e zhveshi paditësin nga akuzat për krime lufte, por e deklaroi atë fajtor për banditizëm, një vepër penale e dënueshme me tre deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim sipas nenit 72 të Kodit Penal të vitit 1961.
Pasi analizoi situatën në të cilën ishte gjendur Letonia si pasojë e ngjarjeve historike të vitit 1940 dhe pushtimit gjerman, Gjykata e Qarkut doli në përfundimin se paditësi nuk mund të barazohej me një “përfaqësues të forcave pushtuese”, se ai kishte luftuar përkundrazi për çlirimin e vendit kundër forcave pushtuese të Gjermanisë naziste. Meqenëse Letonia kishte qenë e aneksuar në BRSS, sjellja e paditësit duhej analizuar nën këndvështrimin e ligjeve sovjetike. Përveç kësaj, i interesuari me të drejtë nuk mund të kishte pritur që të cilësohej një ditë si “përfaqësues i forcave pushtuese sovjetike”. Për sa i përkiste operacionit në Mazie Bati, gjykata pranoi se fshatarët kishin bashkëpunuar me administratën ushtarake gjermane dhe ia kishin dorëzuar Wehrmacht-it grupin e partizanëve të kuq të Çugunovit. Sulmi ndaj fshatit ishte kryer pra në zbatim të një vendimi të dhënë nga gjykata ushtarake ad hoc e organizuar në gjirin e detashmentit të partizanëve të kuq. Gjykata pranoi gjithashtu se vdekja e gjashtë burrave të Mazie Batit mund të paraqitej si e nevojshme dhe e përligjur nga konsiderata të natyrës ushtarake. Por kjo përligjje nuk shtrihej as te vrasja e tri grave, as te djegia e godinave të fshatit, veprime për të cilat paditësi ishte përgjegjës si komandant i njësitit. Për rrjedhojë, përderisa kishin vepruar përtej asaj që porosiste vendimi i gjykatës ushtarake ad hoc, paditësi dhe njerëzit e tij kishin kryer një veprim kusarie për të cilin ishin plotësisht përgjegjës por që, nga ana tjetër, ishte i parashkruar.
37. Të dyja palët e apeluan këtë vendim përpara Dhomës së Çështjeve Penale. Duke iu referuar, ndër të tjera, nenit 7 § 1 të Konventës, paditësi kërkonte që t’i jepej pafajësi e plotë dhe e quante veten viktimë të një zbatimi prapaveprues të ligjit. Prokuroria, nga ana e saj, i qortonte gjyqtarët e shkallës së parë për disa gabime të rënda ndaj fakteve dhe ndaj ligjit: Gjykata e Qarkut nuk kishte çmuar se aneksimi i Letonisë në BRSS ishte në kundërshtim si me Kushtetutën letone të vitit 1922 ashtu edhe me dispozitat e së drejtës ndërkombëtare, se ai ishte pra i paligjshëm dhe se Republika e Letonisë kishte vazhduar të ekzistonte de jure. Për këtë arsye, sjellja e paditësit më 1944 paskësh qenë e mundur dhe paskësh qenë dashur të analizohej sipas ligjit leton e ndërkombëtar dhe jo sipas ligjeve sovjetike. Përveç kësaj, prokuroria e kritikonte mënyrën se si Gjykata e Qarkut e kishte bërë vlerësimin e provave në këtë çështje. Sipas saj, gjykata ishte mbështetur në një sërë thëniesh nga ana e paditësit, të cilat nuk vërtetoheshin me asnjë element prove e të cilat, për më tepër, binin në kundërshtim me përmbajtjen e provave. Në veçanti synoheshin pohimet e mëposhtme: fshatarët e Mazie Batit ishin bashkëpunëtorë të armatosur të administratës ushtarake gjermane, ata e kishin ndihmuar Wehrmacht-in për të asgjësuar partizanët e Çugunovit, një “gjykatë” ad hoc partizanësh ishte krijuar në gjirin e detashmentit nga i cili varej paditësi, dhe qëllimi i vërtetë i operacionit të Mazie Batit kishte qenë jo që fshatarët të ekzekutoheshin në vend por që ata të arrestoheshin.
38. Me një vendim të datës 30 prill 2004, Dhoma e Çështjeve Penale i dha të drejtë apelimit të prokurorisë, e shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Qarkut të Latgales dhe e shpalli paditësin fajtor për veprën penale që dënohej nga neni 68-3 i Kodit Penal të vitit 1961. Pasi i pati analizuar provat, ajo u shpreh kështu:
“(...) Kështu, V. Kononovi dhe partizanët e grupit të posaçëm që komandonte ai i kanë vjedhur armët që u ishin dhënë fshatarëve për qëllime të mbrojtjes së tyre personale dhe kanë vrarë nëntë civilë të fshatit, ndër të cilët gjashtë – në veçanti tri gra, njëra prej të cilave në fund të shtatzënisë – janë djegur për së gjalli; ata kanë djegur gjithashtu godinat e dy fermave.
Duke sulmuar këta nëntë civilë të fshatit Mazie Bati, të cilët nuk merrnin pjesë në luftime, duke i vrarë e duke u vjedhur atyre armët, V. Kononovi dhe partizanët që komandonte ai (...) kanë kryer një shkelje trashanike të ligjeve dhe zakoneve të luftës që përmenden nga:
– pika b) e paragrafit të parë të nenit 23 të Konventës së Hagës të [18] tetorit 1907 lidhur me ligjet e zakonet e luftës tokësore, që është e detyrueshme për të gjitha kombet e qytetëruara, e cila e ndalon që të sulmohen, me çfarëdolloj mjeti qoftë, fshatra, banesa ose ndërtesa që nuk janë të mbrojtura; dhe paragrafi i parë i nenit 46 [të kësaj konvente], sipas të cilit duhen respektuar nderi dhe të drejtat e familjes, jeta e individëve dhe prona private;
– neni 3 § 1, pika a), i Konventës së Gjenevës së 12 gushtit 1949 për mbrojtjen e personave civilë në kohë lufte (...), sipas të cilit janë të ndaluara ndaj personave që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime cenimet për jetën e për paprekshmërinë trupore, sidomos vrasja në të gjitha trajtat e saj, gjymtimet, trajtimet mizore, torturat e mundimet; pika d) [e të njëjtit paragraf], sipas së cilës janë të ndaluara dënimet e shpallura dhe ekzekutimet e kryera pa një gjykim paraprak, nga një gjykatë e krijuar ligjërisht dhe e shoqëruar me garancitë gjyqësore të pranuara si të domosdoshme nga popujt e qytetëruar; neni 32, i cili ndalon vrasjen, torturën dhe të gjitha mizoritë ndaj personave të mbrojtur; dhe neni 33, sipas të cilit asnjë person i mbrojtur nuk mund të ndëshkohet për një vepër penale që nuk e ka kryer personalisht, dhe janë të ndaluara dënimet kolektive, çdolloj mase për frikësim, plaçkitja dhe masat hakmarrëse ndaj personave të mbrojtur dhe pasurive të tyre;
– neni 51 § 2 i Protokollit të Parë Shtesë të Konventës [së lartpërmendur] për mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura ndërkombëtare, të miratuar më 8 qershor 1977 (...), sipas të cilit nuk duhet të jenë objekt sulmesh as popullsia civile si e tillë, as personat civilë, dhe janë të ndaluara veprimet ose kërcënimet për dhunë qëllimi kryesor i së cilave është të përhapë tmerrin mes popullsisë civile; paragrafi 4, pika a) [e të njëjtit nen], që i ndalon sulmet pa dallim që nuk drejtohen kundër një objektivi ushtarak të caktuar; paragrafi 6 [i të njëjtit nen] që i ndalon sulmet që drejtohen për reprezalje kundër popullsisë civile ose personave civilë; neni 75 § 2, pika a) (...), sipas të cilit janë të ndaluara cenimet e jetës, të shëndetit dhe të mirëqenies fizike ose mendore të personave, veçanërisht vrasja, tortura në të gjitha trajtat e saj, qoftë ajo fizike apo mendore, gjymtimet, dhe pika d) [e të njëjtit paragraf], e cila i ndalon dënimet kolektive.
Duke vepruar me një mizori e një egërsi të veçantë dhe duke e djegur për së gjalli fshataren (...) shtatzënë, V. Kononovi dhe njerëzit e tij janë tallur me ligjet dhe zakonet e luftës të përmendura në paragrafin e parë të nenit 16 të Konventës së Gjenevës (...), sipas të cilit gratë shtatzëna duhet të jenë objekt mbrojtjeje dhe respekti të veçantë.
Po ashtu, duke djegur shtëpitë [e banimit] dhe ngrehinat e tjera të fshatarëve (...) Meikuls Krupniks e Bernards Šķirmants, V. Kononovi dhe partizanët që e shoqëronin atë kanë vepruar pa pyetur për dispozitat e nenit 53 të po kësaj Konvente, i cili e ndalon shkatërrimin e pasurive të patundshme, me përjashtim të rasteve kur këtë e bëjnë absolutisht të domosdoshme operacionet ushtarake, si edhe të nenit 52 të Protokollit të Parë Shtesë (...), sipas të cilit pasuritë me karakter civil nuk duhet të jenë objekt as për sulme, as për reprezalje.
(...)
Duke pasur parasysh sa më sipër, veprimet e kryera nga V. Kononovi dhe njerëzit e tij duhet të cilësohen si krime lufte në kuptimin e paragrafit të dytë, pika b), të nenit 6 të Statutit të Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, sipas të cilit vrasja, torturimi i personave civilë në territoret e pushtuara, grabitja e pasurive private, shkatërrimi pa arsye i fshatrave dhe rrënimi që nuk përligjen nga nevojat ushtarake përbëjnë shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, domethënë krime lufte.
Veprimet e kryera nga V. Kononovi dhe njerëzit e tij duhet të cilësohen gjithashtu si vepra të rënda penale në kuptimin e nenit 147 të (...) Konventës së Gjenevës (...).
Prandaj (...), V. Kononovi e ka kryer krimin që dënohet nga neni 68-3 i Kodit Penal (...).
Nga elementet e dosjes del se, pas luftës, pjesëtarët e mbijetuar të familjeve të [personave] të vrarë janë përndjekur pa mëshirë dhe u janë nënshtruar reprezaljeve të shumta. Pas rivendosjes së pavarësisë së Letonisë, të gjithë personat e vrarë janë rehabilituar; vërtetimet e rehabilitimit të tyre përmendin se ata nuk [kanë] kryer “krime kundër paqes [ose] njerëzimit, vepra penale (...) dhe se nuk [kanë] marrë pjesë (...) në përndjekjet politike (...) të regjimit nazist” (...).
Në zbatim të nenit 43 të Protokollit të Parë Shtesë të Konventës së Gjenevës (...), sipas të cilit luftëtarët, domethënë personat që kanë të drejtën të marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime, janë pjesëtarët e forcave të armatosura të njërës palë në konflikt, është me vend të konsiderohet që V. Kononovi është i dënueshëm sipas [dispozitës që parashikon] krimin e luftës (në fjalë).
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, V. Kononovi ishte pjesëtar i forcave të armatosura të një pale ndërluftuese, [konkretisht] të BRSS-së dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive në operacionet ushtarake të organizuara nga ajo.
V. Kononovi ishte dërguar me mision të posaçëm në Letoni, me urdhrin plotësisht të qartë për të vepruar në prapavijat armike [dhe] për të organizuar aty shpërthime.
Skuadra e drejtuar nga V. Kononovi nuk mund të paraqitet si një grupim vullnetarësh, përderisa ishte e organizuar dhe e udhëhequr nga forcat e armatosura të njërës prej palëve ndërluftuese (BRSS-së); kjo vërtetohet nga aktet e dosjes. Po ashtu, në çastin e krimit për të cilin akuzohet, V. Kononovi vepronte gjithashtu në cilësinë e tij si luftëtar i cili drejtonte një grup personash të armatosur që e kishte të drejtën për të marrë pjesë në operacionet ushtarake, si pjesë përbërëse e forcave të armatosura të njërës nga palët ndërluftuese. (...)
V. Kononovi ka luftuar në territorin leton të pushtuar nga BRSS-ja dhe as fakti që atëherë pushtimi ishte i dyfishtë (duke qenë Gjermania fuqia tjetër pushtuese), as fakti që BRSS-ja bënte pjesë në koalicionin antihitlerian nuk e zbehin cilësinë e V. Kononovit si kriminel lufte. (...)
Dhoma e Çështjeve Penale është e mendimit se të gjithë ata fshatarë të Mazie Batit që janë vrarë duhet të konsiderohen si persona civilë në kuptimin e nenit 68-3 të Kodit Penal (...) dhe të dispozitave të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas nenit 50 të Protokollit të Parë Shtesë të Konventës së Gjenevës (...), konsiderohet si civil çdo person që nuk i përket njërës prej kategorive të përfshira në nenin 43 të këtij protokolli dhe në nenin 4A të Konventës.
Atributet e përshkruara nga dispozitat e cituara më lart, që janë karakteristike për [disa] kategori personash dhe që i përjashtojnë këta nga përkufizimi si persona civilë, nuk u përkasin fshatarëve që janë vrarë.
Fakti që këta të fundit patën marrë armë dhe municione nuk u jepte atyre cilësinë e luftëtarëve dhe nuk shihet dot aty ndonjë vullnet nga ana e tyre për të kryer çfarëdolloj operacionesh ushtarake.
(...)
Është vërtetuar (...) që grupi i partizanëve të Çugunovit është asgjësuar nga një detashment ushtarak gjerman; madje kjo gjë pohohet nga dokumentet e shtabit të zbulimit (...).
Dosja nuk përmban prova për të vërtetuar që fshatarët të kenë marrë pjesë në atë operacion.
Fakti që Meikuls Krupniksi t’i ketë informuar gjermanët për praninë e partizanëve në ahurin e tij nuk e përjashton atë nga kategoria e personave civilë.
Z. Krupniks jetonte në një territor të pushtuar nga Gjermania dhe prania e partizanëve [të kuq] në fermën e tij në kohë lufte ishte pa dyshim e rrezikshme për të dhe për familjen e tij. (...)
Fakti që fshatarët kishin armë në shtëpi dhe bënin [rregullisht] roje gjatë natës nuk do të thotë që ata merrnin pjesë në operacione ushtarake, por dëshmon se ata kishin realisht frikë se mos sulmoheshin.
Çdo qytetar, qoftë në kohë lufte apo në kohë paqeje, ka të drejtën për t’u vetëmbrojtur e për të mbrojtur pjesëtarët e familjes së tij nëse jetët e tyre ndodhen të kërcënuara.
Nga dosja del se partizanët e kuq, duke përfshirë edhe grupin e Çugunovit, përdornin dhunë ndaj civilëve, dhe se popullsia druhej për sigurinë e saj.
Viktima [K.] ka deklaruar se partizanët e kuq i plaçkitnin shtëpitë dhe se shpesh ata përvetësonin ushqimet.
Sjellja kriminale e partizanëve është zbuluar në raportet e oficerëve të lartë [S.] e [Č.], sipas të cilave të interesuarit kryenin plaçkitje, vrasje dhe krime të tjera kundër popullsisë vendase. Shumë njerëz kishin përshtypjen se partizanët nuk luftonin fare, por merreshin me kusari. (...)
Nga dosja del se, nga fshatarët që janë vrarë në Mazie Bati më 1943 e 1944, në Gardën Kombëtare Letone (aizsargi) bënin pjesë [vetëm] Bernards Šķirmantsi dhe [bashkëshortja e tij]. Arkivat nuk përmbajnë të dhëna rreth pjesëmarrjes së viktimave të tjera në këtë organizatë apo në çfarëdolloj organizate tjetër (...).
Dhoma e Çështjeve Penale vlerëson se fakti që këta persona të lartpërmendur merrnin pjesë në veprimtaritë e Gardës Kombëtare Letone nuk lejon që ata të cilësohen si luftëtarë, përderisa nuk është vërtetuar (...) që ata të kenë marrë pjesë në operacione ushtarake të organizuara nga forcat e armatosura të njërës nga palët ndërluftuese.
Është vërtetuar (...) që në fshatin Mazie Bati nuk ndodhej asnjë formacion ushtarak gjerman dhe që fshatarët e vrarë ishin bujq të thjeshtë të cilët nuk ushtronin asnjë veprimtari me karakter ushtarak.
Në çastin e ngjarjeve [që janë objekt konflikti], këta fshatarë gjendeshin në shtëpitë e tyre dhe po përgatiteshin të festonin Rrëshajat. Mes atyre që u vranë përfshiheshin burra – të cilët ishin të armatosur – por edhe gra, njëra nga të cilat ishte në fund të shtatzënisë dhe gëzonte pra një mbrojtje të posaçme (...) nga Konventa e Gjenevës [e vitit 1949].
Dhoma e Çështjeve Penale ka dalë pa ngurrim në përfundimin se personat e vrarë ishin civilë. Edhe sikur kjo gjë të mos ishte dukur e qartë, Protokolli i Parë Shtesë i Konventës së Gjenevës [i vitit 1977] saktëson se, në rast dyshimi, çdo person duhet të konsiderohet si civil. (...)
Meqenëse Letonia nuk ishte anëtarësuar në Konventën e Hagës së vitit 1907, dispozitat e këtij instrumenti nuk mund të shërbejnë si bazë për [një konstatim për] shkelje.
Krimet e luftës janë të ndaluara dhe personat që i kanë kryer ato duhet të dënohen në cilindo vend, përderisa ndëshkimi i veprimeve të fjalë është pjesë përbërëse e të drejtës ndërkombëtare, dhe kjo pavarësisht nga çështja nëse palët në konflikt janë ose jo palë në këtë apo atë traktat ndërkombëtar. (...)”
39. Dhoma e Çështjeve Penale i përjashtoi dy akuza që nuk ishin provuar në mënyrë bindëse, konkretisht ato lidhur me vrasjet e torturat që paditësi mendohej se i kishte kryer me duart e veta. Ajo e deklaroi të interesuarin fajtor për një krim të rëndë dhe, duke konstatuar se ai ishte i moshuar, invalid e i parrezikshëm, e dënoi me një vit e tetë muaj burgim, një dënim që u quajt si i kryer.
40. Me një vendim të datës 28 shtator 2004, Senati i Gjykatës së Lartë e hodhi poshtë rekursin e paditësit me këto fjalë:
“ (...) Për të dalë në përfundimin se V. Kononovi ishte një luftëtar dhe se ai e ka kryer krimin në fjalë në një territor të pushtuar nga BRSS-ja, Dhoma e Çështjeve Penale është mbështetur te vendimet e organeve më të larta përfaqësuese të Republikës së Letonisë, në konventat ndërkombëtare që lidhen me çështjen dhe në elemente të tjera prove, të verifikuara e të vlerësuara në përputhje me rregullat e procedurës penale dhe të marra së bashku.
Në Deklaratën e Këshillit Suprem (...) të 4 majit 1990 për rivendosjen e pavarësisë së Republikës së Letonisë, është pranuar se ultimatumi i 16 qershorit 1940 i drejtuar Qeverisë së Republikës së Letonisë nga ish-BRSS-ja staliniste duhej të cilësohej si krim ndërkombëtar, përderisa Letonia ndodhej nën pushtim dhe pushteti i saj sovran ishte shfuqizuar. [Por,] Republika e Letonisë kishte vazhduar të ekzistonte si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, siç e kishin njohur më shumë se pesëdhjetë shtete të mbarë botës (...).
(...)
Pasi ka analizuar themelësinë e vendimit, (...) Senati çmon se, për sa i përket vlerësimit të Dhomës së Çështjeve Penale se V. Kononovi ishte i dënueshëm sipas nenit 68-3 të Kodit Penal (...), veprimet e të interesuarit janë cilësuar në mënyrë korrekte, përderisa në cilësinë e ndërluftuesit që vepronte në territorin leton të pushtuar nga BRSS-ja ai ka shkelur ligjet dhe zakonet e luftës duke planifikuar e drejtuar një operacion ushtarak reprezaljesh kundër civilëve, konkretisht kundër banorëve paqësorë të fshatit Mazie Bati, nëntë prej të cilëve u vranë (...) dhe pasuritë e të cilëve u vodhën [ose] u dogjën.
Siç e ka vënë në dukje [me të drejtë] Gjykata e Apelit, as fakti që gjatë Luftës së Dytë Botërore territori leton ka pësuar dy pushtime të njëpasnjëshme nga dy shtete (ndër të cilat Gjermania; një “pushtim i dyfishtë” sipas Gjykatës së Apelit), as fakti që BRSS-ja i përkiste koalicionit antihitlerian, nuk e zbehin cilësinë si përgjegjës për një krim lufte që duhet t’i njihet V. Kononovit.
Për sa i përket pretendimit (...) sipas të cilit Gjykata [e Apelit] i ka shkelur dispozitat e nenit 6 të Kodit Penal (...) lidhur me zbatueshmërinë kohore të ligjit penal duke e shpallur V. Kononovin fajtor për krimin e luftës në fjalë, [Senati] çmon se ai duhet hedhur poshtë për arsyet e mëposhtme:
Nga vendimi del se Gjykata e Apelit ka i zbatuar traktatet, konkretisht Konventën e Gjenevës së 12 gushtit 1949 (...) dhe Protokollin [e saj] Shtesë të 8 qershorit 1977 (...), ndaj krimit të luftës që rëndon mbi V. Kononovin, pavarësisht nga datat kur ato kanë hyrë në fuqi. [Kjo përputhet] me Konventën e Kombeve të Bashkuara të 26 nëntorit 1968 lidhur me paparashkrueshmërinë e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit. [Gjykata e Apelit ka vënë në dukje] se Republika e Letonisë, e pushtuar nga BRSS-ja, nuk kishte mundur të merrte më herët një vendim [në këtë drejtim]. Duke iu referuar parimit të paparashkrueshmërisë, Gjykata ka vepruar në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga traktatet ndërkombëtare dhe ka vendosur t’i shpallë penalisht përgjegjës personat fajtorë për krimet në fjalë, pavarësisht nga koha kur ishin kryer ato.
Duke konsideruar se vendimi i kundërshtuar e cilëson shkeljen e ligjeve dhe të zakoneve të luftës që rëndon mbi V. Kononovin si krim lufte në kuptimin e paragrafit të dytë, pika b), të nenit 6 të Statutit të Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut (...) dhe se (...) sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara të 26 nëntorit 1968, të lartpërmendur, (...) krimet e luftës (...) janë të paparashkrueshëm, (...) Senati çmon se është e drejtë që aktet në fjalë janë gjykuar se kanë të bëjnë me nenin 68-3 të Kodit Penal (...).
Senati çmon se asgjë (...) nuk lejon të thuhet (...) se Deklarata e Këshillit Suprem e 4 majit 1990 për rivendosjen e pavarësisë së Republikës së Letonisë dhe Deklarata e Parlamentit e 22 gushtit 1996 rreth pushtimit të Letonisë nuk ishin veçse tekste të thjeshta politike ku Gjykata e Apelit nuk mund ta mbështeste gjykimin e saj dhe të cilave nuk mund t’u jepej në mënyrë prapavepruese një fuqi detyruese.
Senati konsideron se të dyja deklaratat përbëjnë akte shtetërore me karakter kushtetues, ligjshmëria e të cilave nuk vihet në diskutim.
Në vendimin e saj, të dhënë pasi ajo ka vlerësuar provat e shqyrtuara në seancë, [Gjykata e Apelit] ka vërejtur se V. Kononovi, në cilësinë e tij si luftëtar, kishte organizuar, komanduar e drejtuar një aksion ushtarak partizanësh, thelbi i të cilit kishte qenë që, për reprezalje, të masakrohej popullsia civile e fshatit Mazie Bati dhe të plaçkiteshin e të shkatërroheshin fermat e fshatarëve. Duke qenë kështu, ajo, me të drejtë, ka konsideruar se veprimet individuale të kryera nga pjesëtarët e grupit të ankuesit (...) nuk mund të paraqiteshin si teprime të thjeshta nga ana e të interesuarve.
Në përputhje me parimet e së drejtës penale që rregullojnë përgjegjësinë e grupeve të organizuara, pjesëtarët [e një grupi] janë bashkëpunëtorë në veprën penale, pavarësisht nga roli i luajtur prej tyre në kryerjen e tij.
Ky parim i përgjegjësisë së anëtarëve të një grupi të organizuar pranohet nga paragrafi i tretë i nenit 6 të Statutit të Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, sipas të cilit udhëheqësit, organizatorët, nxitësit ose bashkëpunëtorët që kanë marrë pjesë në vënien në jetë të një plani të bashkërenditur janë përgjegjës për të gjitha veprimet e kryera nga të gjithë personat në zbatim të atij plani.
Për pasojë, është i pabazë argumenti ankimor sipas së cilit Gjykata e Apelit e paska shpallur pa asnjë provë V. Kononovin fajtor për veprime të kryera nga anëtarët e grupit të posaçëm të partizanëve që drejtonte ai duke përdorur një kriter “përgjegjësie objektive”, pa e shqyrtuar qëndrimin e tij subjektiv ndaj pasojave.”
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. Kodi Penal i vitit 1926
41. Me një dekret të 6 nëntorit 1940, Këshilli Suprem i RSS të Letonisë e zëvendësoi Kodin Penal leton që ishte atëherë në fuqi me Kodin Penal sovjetik të vitit 1926 (këtu më poshtë “Kodi Penal i vitit 1926”), zbatueshmëria e të cilit u shtri kështu edhe në territorin leton. Dispozitat e këtij teksti lidhur me çështjen, ashtu siç ishin ato në fuqi gjatë Luftës së Dytë Botërore, shpreheshin kështu:
Neni 2
“Ky kod është i zbatueshëm për të gjithë qytetarët e R.S.F.S.R.-së [Republikës Socialiste Federative Sovjetike të Rusisë] që kanë kryer veprime shoqërisht të rrezikshme në territorin e R.S.F.S.R.-së, ose jashtë territorit të BRSS-së nëse ata ndalohen brenda territorit të R.S.F.S.R.-së.”
Neni 3
“Përgjegjësia e qytetarëve të republikave të tjera socialiste federative sovjetike për veprat penale të kryera brenda territorit të R.S.F.S.R.-së, ose jashtë territorit të BRSS-së nëse të interesuarit janë ndaluar dhe i janë dorëzuar një gjykate ose një organi hetimor brenda territorit të R.S.F.S.R.-së, përcaktohet në përputhje me ligjet R.S.F.S.R.-së.
Përgjegjësia e qytetarëve të republikave socialiste federative për veprat penale të kryera brenda territorit të Bashkimit përcaktohet në përputhje me ligjet e vendit ku është kryer vepra penale.”
Neni 4
“Përgjegjësia e të huajve për veprat penale të kryera brenda territorit të BRSS-së përcaktohet në përputhje me ligjet e vendit ku është kryer vepra penale.”
42. Kapitulli IX i Kodit Penal të vitit 1926 me titull “Vepra penale ushtarake” përmbante dispozitat e mëposhtme, në lidhje me çështjen në fjalë:
Neni 193-1
“Konsiderohen si vepra penale ushtarake veprat penale të kryera nga ushtarakët në shërbim të Ushtrisë së Kuqe të Punëtorëve dhe të Fshatarëve dhe të Marinës së Kuqe të Punëtorëve dhe të Fshatarëve, nga personat e caktuar në ekipet e mirëmbajtjes ose nga personat e thirrur për shërbim në detashmentet territoriale në kuadër të rekrutimeve periodike, [kur këto vepra penale] cenojnë rendin e vendosur të shërbimit ushtarak dhe, duke pasur parasysh karakterin dhe rëndësinë e tyre, ato nuk mund të kryhen nga qytetarë që nuk janë në shërbim të Ushtrisë ose të Marinës. (...)”
Neni 193-3
“Moszbatimi nga një ushtarak i një urdhri të ligjshëm të dhënë gjatë luftimit sjell zbatimin e masave mbrojtëse të shoqërisë nën trajtën e të paktën tre vjetëve burgim.
Në rast se një moszbatim i tillë shkakton pasoja të dëmshme për operacionet luftarake, ai sjell zbatimin e masës së fundit mbrojtëse të shoqërisë [konkretisht dënimin me vdekje].
(...)”
Neni 193-17
“Kusaria, domethënë grabitja e pasurive të civilëve gjatë luftimeve, nën kërcënimin e armëve ose me pretekstin se rekuizimi i atyre pasurive është i nevojshëm për qëllime ushtarake, ose plaçkitja e sendeve personale të të vdekurve ose të të plagosurve për qëllime pasurimi, sjell zbatimin e masës së fundit mbrojtëse të shoqërisë, të shoqëruar me konfiskimin e të gjitha pasurive.
Në prani të rrethanave lehtësuese, dënimi ulet, pa qenë e mundur të jetë më pak se tre vjet burgim në izolim të rreptë.”
Neni 193-18
“Veprimet e paligjshme të dhunës të kryera nga ushtarakët në kohë lufte ose gjatë luftimeve sjellin zbatimin e masave mbrojtëse të shoqërisë nën trajtën e një burgimi në izolim të rreptë për të paktën tre vjet.
Në prani të rrethanave rënduese, zbatohet masa e fundit mbrojtëse e shoqërisë.”
43. Teksti i nenit 14 (dhe shënimet shoqëruese të tij) të Kodit Penal të vitit 1926 shprehej kështu:
“Nuk mund të ketë ndjekje penale:
a) në rastin e një vepre penale që dënohet me më shumë se pesë vjet burgim ose për të cilën ligji parashikon një dënim me burg për të paktën një vit, kur kanë kaluar dhjetë vjet që nga kryerja e veprës penale;
b) në rastin e një vepre penale që dënohet me një deri në pesë vjet burgim ose për të cilën ligji parashikon një dënim me burg për të paktën gjashtë muaj, kur kanë kaluar pesë vjet që nga kryerja e veprës penale;
c) në rastin e një vepre tjetër penale, kur kanë kaluar tre vjet që nga kryerja e veprës penale.
Parashkrimi zbatohet kur, gjatë gjithë periudhës në fjalë, nuk ka pasur as veprim procedural, as masë hetimore për atë çështje dhe kur, gjatë periudhës së parashikuar nga ky nen, autori i veprës penale nuk ka kryer asnjë vepër tjetër penale të së njëjtës kategori ose të një shkalle serioziteti të paktën të barabartë me të.
Shënim 1 – Për sa i përket ndjekjeve për krime kundërrevolucionare, zbatimi i parashkrimit i lihet në dorë gjykatës për secilin rast. Sidoqoftë, nëse kjo e gjykon parashkrimin të pazbatueshëm, asaj i duhet detyrimisht ta kthejë dënimin me vdekje me pushkatim në një deklaratë që e cilëson të interesuarin si armik të punonjësve, të shoqëruar me humbje të së drejtës për të qenë qytetar i BRSS-së dhe me dëbimin përjetë nga territori BRSS-së, ose në një dënim me burgim për një kohë jo më pak se dy vjet.
Shënim 2 – Për sa i përket ndjekjeve penale ndaj personave që kanë luftuar në mënyrë aktive kundër klasës punëtore dhe kundër lëvizjes revolucionare në kuadër të ushtrimit të funksioneve të larta ose të fshehta nën regjimin carist ose në shërbim të qeverive kundërrevolucionare gjatë Luftës Civile [ruse], si zbatimi i parashkrimit ashtu edhe kthimi i dënimit me vdekje me pushkatim i lihen në dorë gjykatës.
Shënim 3 – Afatet e parashkrimit të caktuara nga ky nen nuk zbatohen për veprimet që, sipas këtij kodi, shkaktojnë ndjekje administrative. Veprime të tilla mund ta sjellin zbatimin e masave shtrënguese vetëm brenda një afati prej një muaji që nga kryerja e tyre.”
B. Kodi Penal i vitit 1961
44. Më 6 janar 1961, Këshilli Suprem i RSS së Letonisë e zëvendësoi Kodin Penal të vitit 1926 me Kodin Penal të vitit 1961, i cili hyri në fuqi më 1 prill 1961. Nenet e kodit të ri lidhur me çështjen në fjalë shpreheshin kështu:
Neni 72 [i ndryshuar nga ligji i 15 janarit 1998]
“Organizimi i bandave të armatosura me qëllim për të sulmuar ndërmarrjet shtetërore, ndërmarrjet private, autoritetet, organizatat ose individët, ose pjesëmarrja në banda të tilla apo në sulmet e kryera prej tyre përbën një vepër penale që dënohet me tre deri në pesë vjet burgim (...), ose me vdekje (...).”
Neni 226
“Veprat penale të parashikuara nga ky kod konsiderohen si vepra penale ushtarake kur ato kryhen nga pjesëtarë të personelit ushtarak (...) dhe cenojnë rendin e vendosur të shërbimit ushtarak. (...)”
Neni 256 [i shfuqizuar nga ligji i 10 shtatorit 1991]
“Kusaria, shkatërrimi i paligjshëm i pasurive, kryerja e veprimeve të dhunshme ndaj popullsisë së një krahine të përfshirë në luftime ose sekuestrimi i paligjshëm i pasurive me pretekst se duhen për nevoja ushtarake përbën një vepër penale që dënohet me tre deri në dhjetë vjet burgim ose me vdekje.”
45. Sipas nenit 45 të Kodit Penal të vitit 1961, zbatimi i parashkrimit të krimeve për të cilat parashikohet dënimi me vdekje nuk ishte i vetvetishëm, por i lihej në dorë gjykatës.
46. Pas rivendosjes së pavarësisë së Letonisë, Kodi Penal i vitit 1961 mbeti në fuqi (me disa ndryshime).
47. Me një ligj të 6 prillit 1993, Këshilli Suprem futi në pjesën e posaçme të Kodit Penal të vitit 1961 një kapitull 1-a të ri, i cili përfshinte dispozita që dënonin veprime si gjenocidi, krimet kundër njerëzimit ose kundër paqes, krimet e luftës dhe diskriminimi racial.
48. Një dispozitë e këtij kapitulli të ri (neni 68-3) bënte fjalë për krimet e luftës. Ajo shprehej kështu:
“Kushdo që shpallet fajtor për një krim lufte sipas përkufizimit të konventave juridike përkatëse, domethënë për një shkelje të ligjeve dhe të zakoneve të luftës me anë vrasjesh, torturash, plaçkitjesh të kryera në dëm të popullsisë civile të një territori të pushtuar, të pengjeve ose të robërve, me anë të internimit të këtyre personave ose të nënshtrimit të tyre për të kryer punë të detyruar, ose me anë të një shkatërrimi të papërligjur të qyteteve e vendbanimeve, dënohet me burgim të përjetshëm ose me tre deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim.”
49. I njëjti ligj përfshiu gjithashtu në Kodin Penal të vitit 1961 një nen 6-1, i cili lejonte zbatimin prapaveprues të së drejtës penale për krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës:
“Personat që janë bërë fajtorë për krime kundër njerëzimit, për gjenocid, për krime kundër paqes ose për krime lufte mund të dënohen cilado qoftë koha kur i kanë kryer krimet e tyre.”
50. U përfshi gjithashtu një nen 45-1, i cili e përjashtonte parashkrimin për këto krime:
“Parashkrimi i përgjegjësisë penale nuk zbatohet për personat që janë bërë fajtorë për krime kundër njerëzimit, për gjenocid, për krime kundër paqes ose për krime lufte.”
C. Kodi Penal i vitit 1998
51. Më 1 prill 1999, Kodi Penal i vitit 1961 është zëvendësuar me Kodin Penal të vitit 1998. Ky i fundit i përsëriste në thelb nenet 6-1, 45-1 dhe 68-3 të kodit të vjetër.
III. E DREJTA DHE PRAKTIKA NDËRKOMBËTARE LIDHUR ME ÇËSHTJEN
52. Në kohën e marrë në shqyrtim, ligjet e luftës dilnin jo vetëm nga traktatet, por edhe nga “doket e zakonet e pranuara në mënyrë progresive e të përbotshme, nga doktrina e juristëve, nga jurisprudenca e gjykatave ushtarake”[1].
A. “E drejta e Gjenevës” (1864-1949) për trajtimin e personave dhe të pasurive në duart e armikut
1. Konventa për përmirësimin e fatit të ushtarakëve të plagosur tek ushtritë në fushatë (“Konventa e Gjenevës e vitit 1864”)
53. Konventa e Parë e Gjenevës (e zëvendësuar më pas) parashtronte normat minimale të zbatueshme për “ushtarakët e plagosur ose të sëmurë”, të cilët duhej “të mblidhen e të mjekohen”, pa dallim kombësie.
2. Konventa për përmirësimin e fatit të ushtarakëve të plagosur tek ushtritë në fushatë (“Konventa e Gjenevës e vitit 1906”)
54. Kjo Konventë u jepte mbrojtje dhe statusin e robërve të luftës luftëtarëve të sëmurë e të plagosur të rënë në duart e armikut.
“Neni 1. Ushtarakët dhe personat e tjerë të lidhur zyrtarisht me ushtritë, që do të jenë të plagosur ose të sëmurë, do të duhet të respektohen e të mjekohen, pa dallim kombësie, nga pala ndërluftuese që do t’i ketë në duart e tij. (...)
Neni 2. Përveç mjekimeve që duhet t’u sigurohen sipas nenit të mësipërm, të plagosurit dhe të sëmurë e një ushtrie të rënë në duart e palës tjetër ndërluftuese janë robër lufte (...).”
3. Konventa për përmirësimin e fatit të ushtarakëve të plagosur tek ushtritë në fushatë (“Konventa e Gjenevës e vitit 1929”)
55. Kjo Konventë (e zëvendësuar me Konventën e Parë të Gjenevës të vitit 1949) mbështetej te përvojat e Luftës së Parë Botërore. Ajo nuk e përfshinte klauzolën e pjesëmarrjes së përgjithshme. Nenet e saj 1 e 2 shpreheshin kështu:
“Neni 1. Ushtarakët dhe personat e tjerë të lidhur zyrtarisht me ushtritë, që do të jenë të plagosur ose të sëmurë, do të duhet të respektohen e të mbrohen në çfarëdo rrethane; ata do të trajtohen me njerëzi e do të mjekohen, pa dallim kombësie, nga pala ndërluftuese që do t’i ketë në duart e saj. (...)
Neni 2. Përveç mjekimeve që duhet t’u sigurohen sipas nenit të mësipërm, të plagosurit dhe të sëmurët e një ushtrie të rënë në duart e palës tjetër ndërluftuese do të jenë robër lufte (...).”
4. Konventa për trajtimin e robërve të luftës (“Konventa e vitit 1929 për robërit e luftës”)
56. Kjo Konventë jepte një tërësi të gjerë rregullash lidhur me trajtimin e robërve të luftës. Ajo duhej të plotësonte mangësitë që u shfaqën gjatë Luftës së Parë Botërore në dispozitat përkatëse të Konventës dhe të Rregullores së Hagës të vitit 1907 (paragrafët 85-91 të mëposhtëm). Ajo pranonte se, për të përfituar nga statusi i robit të luftës, duhej të kishe cilësinë e luftëtarit të rregullt, ashtu siç përcaktohej nga Rregullorja e Hagës e vitit 1907. Ajo vendoste garanci për robërit e luftës dhe kërkonte që ata të trajtoheshin me njerëzi. Gratë bëheshin objekt mbrojtjeje të posaçme. Dispozitat që lidheshin me çështjen në fjalë shpreheshin kështu:
“Neni 1. Kjo Konventë do të zbatohet, pa ndikuar në klauzolat e Titullit VII:
1) për të gjithë personat e parashikuar nga nenet 1, 2 dhe 3 të Rregullores së bashkëngjitur me Konventën e Hagës për ligjet e zakonet e luftës në tokë, të 18 tetorit 1907, dhe të kapur nga armiku;
2) për të gjithë personat që i përkasin forcave të armatosura të palëve ndërluftuese, të kapur nga armiku gjatë operacioneve luftarake detare dhe ajrore, me ato përjashtime që bëhen të pashmangshme nga kushtet e kësaj kapjeje. Megjithatë, këto përjashtime nuk duhet të cenojnë parimet themelore të kësaj Konvente; ato marrin fund nga çasti kur personat e kapur mbërrijnë në një kamp robërish lufte.
Neni 2. Robërit e luftës janë nën pushtetin e Fuqisë armike, por jo të individëve ose të formacioneve që i kanë kapur. Ata duhet të trajtohen kurdoherë me njerëzi dhe të mbrohen sidomos nga aktet e dhunës, fyerjet dhe kërshëria publike. Masat e reprezaljeve ndaj tyre janë të ndaluara.
Neni 3. Robërit e luftës kanë të drejtën e respektimit të personalitetit dhe të nderit të tyre. Gratë do të trajtohen me të gjithë kujdesin që kërkon gjinia e tyre. Robërit e ruajnë të plotë zotësinë e tyre civile.”
“Neni 46. Autoritetet ushtarake dhe gjykatat e Fuqisë që i mban robërit e luftës nuk mund t’ua nënshtrojnë këta dënimeve të ndryshme nga ato që parashikohen për të njëjtat veprime ndaj pjesëtarëve të ushtrive kombëtare. (...)”
“Neni 51. Tentativa për arratisje, edhe në rast përsëritjeje, nuk do të konsiderohet si një rrethanë rënduese në rastin kur robi i luftës nxirret para gjykatave për krime ose vepra penale kundër personave ose kundër pasurisë të kryera gjatë kësaj tentative.
Pas një arratisjeje të mbetur në tentativë ose të konsumuar, shokët e të arratisurit që kanë bashkëpunuar në arratisje nuk mund të dënohen për këtë akuzë veçse me një ndëshkim disiplinor.”
5. Projekti i Konventës ndërkombëtare lidhur me statusin dhe me mbrojtjen e civilëve me kombësi armike që ndodhen në territorin e një pale ndërluftuese ose në një territor të pushtuar prej saj (“Projekti i Konventës së Tokios i vitit 1934”)
57. Ky projekt Konvente synonte të përmirësonte mbrojtjen e civilëve armiq që ndodhen në territorin e një pale ndërluftuese ose në një territor të pushtuar prej saj. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e pengoi shqyrtimin e tij, i cili duhej të bëhej gjatë një konference më 1940. Ai përbëri më vonë një bazë diskutimi për Konventën e Katërt të Gjenevës të vitit 1949 dhe meriton të citohet për përkufizimin e tij në mënyrë mohuese të civilëve (në përputhje me Manualin e Oksfordit të vitit 1880) dhe për dallimin që vendoste ndërmjet luftëtarëve dhe civilëve:
“Neni 1. Civilët armiq, në kuptimin e kësaj Konvente, janë personat që përmbushin dy kushtet e mëposhtme:
a) të mos u përkasin forcave të armatosura tokësore, detare e ajrore të palëve ndërluftuese, siç përkufizohen ato nga e drejta ndërkombëtare, konkretisht nga nenet 1, 2 dhe 3 të Rregullores së bashkëngjitur me Konventën e Hagës, nr. IV, lidhur me ligjet e zakonet e luftës në tokë, të 18 tetorit 1907;
b) të jenë shtetas të një vendi armik dhe të ndodhen në territorin e një pale ndërluftuese ose në territorin e pushtuar prej saj.”
58. Nenet e tij 9 dhe 10 shpreheshin se “civilët armiq” duhej të mbrohen prej akteve të dhunës dhe i ndalonin masat e reprezaljeve kundër tyre.
6. Konventa e Gjenevës për trajtimin e robërve të luftës (“Konventa e Tretë e Gjenevës e vitit 1949”)
59. Kjo Konventë shprehej kështu në fragmentet që lidhen me çështjen në fjalë:
“Neni 5. Kjo Konventë do të zbatohet për personat e përmendur në nenin 4 sapo ata të kenë rënë në duart e armikut dhe deri në lirimin e në riatdhesimin e tyre përfundimtar.
Në rast se ka dyshim rreth përkatësisë ndaj njërës prej kategorive të numëruara në nenin 4 të personave që kanë kryer një veprim ndërluftues dhe që kanë rënë në duart e armikut, këta persona do të përfitojnë mbrojtjen e kësaj Konvente në pritje që statusi i tyre të jetë përcaktuar nga një gjykatë kompetente.”
7. Konventa e Gjenevës për mbrojtjen e personave civilë në kohë lufte (Konventa e Katërt e Gjenevës e vitit 1949”)
60. Neni 16 i kësaj Konvente u jepte një mbrojtje të veçantë grave shtatzëna:
“Të plagosurit e të sëmurët, si edhe invalidët e gratë shtatzëna do të jenë objekt i një mbrojtjeje dhe i një respekti të veçantë. Për aq sa do ta lejojnë kërkesat ushtarake, secila Palë në konflikt do të favorizojë masat e marra për të kërkuar të vrarët e të plagosurit, për t’u ardhur në ndihmë anijembyturve dhe personave të tjerë të kanosur nga një rrezik i rëndë dhe për t’i mbrojtur ata nga plaçkitja dhe keqtrajtimet.”
61. Neni 32 u siguronte personave të ndodhur në duart e armikut një mbrojtje të posaçme nga keqtrajtimet dhe neni 33 i ndalonte dënimet kolektive, plaçkitjen dhe masat e reprezaljeve ndaj personave të mbrojtur.
62. Neni 53 e ndalonte shkatërrimin e pronave të tundshme ose të patundshme që u përkisnin personave privatë, me përjashtim të rasteve kur këto shkatërrime ishin bërë absolutisht të domosdoshme.
B. Ligjet dhe zakonet e luftës para Luftës së Dytë Botërore
1. Udhëzimet e vitit 1863 për ushtritë në fushatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (“Kodi Lieber i vitit 1863”)
63. Kodi Lieber konsiderohet si përpjekja e parë për kodifikimin e ligjeve dhe të zakoneve të luftës. Ndonëse u kushtoheshin vetëm forcave amerikane, ato dispozita përkonin me ligjet dhe zakonet e luftës që ekzistonin në atë kohë dhe kanë ndikuar fuqimisht te kodifikimet e mëvonshme.
64. Nenet 15 dhe 38 përcaktonin si rregull se për nevoja ushtarake lejoheshin kapjet dhe shkatërrimet e personave dhe të pasurive (shih gjithashtu nenin 16 të të njëjtit kod këtu më poshtë):
“15. Nevoja ushtarake e pranon që të vritet ose plagoset drejtpërdrejt çdo armik “i armatosur” si dhe çdo person tjetër nxjerrja jashtë luftimi e të cilit del si e pashmangshme në përpjekjet e armatosura të luftës; ajo e lejon çdo shkatërrim pasurish e bllokim rrugësh dhe kanalesh qarkullimi, tregtie ose komunikacioni, si edhe çdo ndërprerje furnizimesh apo mjetesh jetese për armikun; përvetësimin, në vend armik, të çdo produkti të nevojshëm për furnizimin e për sigurinë e ushtrisë, si edhe çdo dredhi që nuk përmban ndërprerje të një zotimi të qartë, qoftë fjala për zotime të marra gjatë luftës apo për zotime që rrjedhin nga gjendja aktuale e së drejtës së luftës. Ata që rrëmbejnë armët kundër njëri-tjetrit në një luftë të shpallur publikisht nuk pushojnë së qeni, megjithatë, qenie morale, përgjegjëse përpara njëra-tjetrës e përpara Zotit.”
“38. Pasuritë private, me përjashtim të rasteve kur pronarët e tyre kanë kryer krime ose vepra penale të rënda, nuk mund të sekuestrohen përveçse për arsye nevojash të ngutshme ushtarake, për mbështetjen ose për çdolloj përdorimi tjetër të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. (...)”
65. Neni 16 vendoste një normë të përgjithshme lidhur me sjelljen që duhej mbajtur gjatë një konflikti të armatosur dhe i ndalonte aktet e pabesisë:
“Nevoja ushtarake nuk e pranon mizorinë, domethënë shkaktimin e vuajtjes thjesht sa për vuajtje ose për hakmarrje, as plagosjen ose gjymtimin përveç se në luftim, as torturën për të nxjerrë informata. Ajo nuk e pranon në asnjë mënyrë përdorimin e helmit, as shkretimin sistematik të një krahine. Ajo e pranon dredhinë, por jo aktet e pabesisë; dhe, në përgjithësi, nevoja ushtarake nuk përfshin asnjë veprim armiqësor që t’i shtojë, pa qenë nevoja, vështirësitë e rivendosjes së paqes.”
66. Nenet 19 dhe 37 parashikonin një mbrojtje të posaçme për gratë në kontekstin e një konflikti të armatosur:
“19. Komanda, kurdoherë që e lejojnë rrethanat, e informon armikun për qëllimin e saj për të bombarduar një vend, në mënyrë që të mund të evakuohen ata që nuk janë luftëtarë e posaçërisht gratë e fëmijët (...)”
“37. Shtetet e Bashkuara i njohin dhe i mbrojnë, në vendet armike të pushtuara prej tyre, fenë dhe moralin, pronën thjesht private, personin e banorëve, posaçërisht atë të grave dhe karakterin e shenjtë të marrëdhënieve familjare. Shkeljet e këtij rregulli do të ndëshkohen me rreptësi. (...)”
67. Neni 22 shpallte parimin e dallimit midis luftëtarëve dhe civilëve:
“Sidoqoftë, ashtu si qytetërimi ka përparuar gjatë shekujve të fundit, po ashtu ka përparuar në mënyrë të vazhduar, veçanërisht në luftën në tokë, dallimi ndërmjet personit privat të shtetasve të një vendi armik dhe vetë vendit armik me njerëzit e tij të armatosur. Është pranuar, përherë e më shumë, parimi se qytetari i paarmatosur duhet të kursehet për sa i përket personit të tij, pasurive të tij, nderit të tij, për aq sa ta lejojnë kërkesat e luftës.”
68. Neni 44 numëronte një sërë shkeljesh dhe dënimet e rënda që mund t’i jepeshin çdo ushtari që gjendej fajtor:
“Çdo ushtrim dhune me dashje ndaj personave në vendin e pushtuar, çdo shkatërrim pasurish jo i urdhëruar nga një oficer i kualifikuar, çdo vjedhje, grabitje ose plaçkitje, edhe pas pushtimit të një vendi me anë të forcës, çdo përdhunim, plagosje, gjymtim ose vrasje e banorëve të tij, ndalohet dhe dënohet me vdekje ose me çdolloj ndëshkimi tjetër të rëndë në përpjesëtim me seriozitetin e shkeljes. Çdo ushtar, oficer ose nënoficer i cili kryen veprime të tilla të dhunshme dhe nuk i bindet një eprori që i jep urdhër të mos i bëjë ato, mund të vritet në vend ligjërisht nga ky epror.”
69. Neni 47 i referohej dënimeve të parashikuara nga kodet penale kombëtare:
“Krimet e dënueshme nga të gjitha kodet penale, si zjarrvëniet e qëllimshme, vrasja, gjymtimi, dhuna, sulmet e armatosura, vjedhja, vjedhja natën dhe me thyerje, mashtrimi, falsifikimi dhe përdhunimi, nëse kryhen nga një ushtarak amerikan në vend armik kundër banorëve të atij vendi, nuk janë vetëm të dënueshme si në vendin e tij, por, në të gjitha ato raste kur nuk dënohen me vdekje, do të ndëshkohen me dënimin më të lartë.”
70. Kodi Lieber i ilustronte të dyja të drejtat kryesore që i njihen çdo “luftëtari”: statusin e robit të luftës (neni 49) dhe imunitetin ndaj ndjekjeve penale për disa veprime që do të konsideroheshin si kriminale për një civil (neni 57):
“49. Është rob lufte çdo ndërluftues i armatosur ose i lidhur me ushtrinë armike, në shërbim aktiv, i rënë në duart e atij që e ka kapur ose duke luftuar, ose pasi është plagosur, në fushëbetejë ose në spital, përmes dorëzimit individual ose kapitullimit.
Të gjithë ushtarët, të cilësdo arme që t’i përkasin; të gjithë njerëzit që janë pjesë e mobilizimit masiv të vendit armik, të gjithë personat e lidhur me ushtrinë për operacionet e saj e që kryejnë drejtpërdrejt veprim lufte, me përjashtim të atyre që tregohen këtu më poshtë, të gjithë ushtarët e oficerët jashtë luftimi në fushëbetejë ose kudo gjetiu, nëse kapen; të gjithë armiqtë që i kanë hedhur armët e tyre dhe kërkojnë mëshirë, janë robër lufte e, si të tillë, u nënshtrohen ashpërsive të pranuara në të drejtat e posaçme të robërve të luftës.”
“Që nga çasti kur një njeri armatoset nga një qeveri sovrane dhe betohet si ushtar për besnikëri, ai është një ndërluftues; vrasja, plagosja e tij ose kryerja ndaj tij e çdolloj veprimi tjetër lufte nuk përbën as krim, as vepër penale individuale. Asnjë ndërluftues nuk ka të drejtë të deklarojë se kundërshtarët e tij të njëfarë klase, ngjyre ose kondite, të organizuar rregullisht si ushtarë, nuk do të trajtohen prej tij si ndërluftues.”
71. Nocioni i “mobilizimit masiv” trajtohej në nenin 51:
“Kur banorët e një pjese të vendit të shkelur por ende jo të pushtuar nga armiku ose ata të mbarë vendit, teksa afrohet ushtria armike, ngrihen në mënyrë masive, duke iu përgjigjur një thirrjeje të ligjshme për mobilizim, me qëllim që t’i bëjnë qëndresë pushtuesit, ata trajtohen si ndërluftues dhe, në rast kapjeje, janë robër lufte.”
72. Neni 59 vinte në dukje se shkeljet e ligjeve dhe të zakoneve të luftës i ngarkonin me përgjegjësi penale autorët e tyre:
“Çdo rob lufte mbetet përgjegjës për krimet që ka kryer para kapjes së tij kundër ushtrisë ose popullit të palës që e ka kapur e për të cilat nuk është dënuar nga autoritetet e veta. Të gjithë robërit e luftës mund të ndëshkohen me masa kundërvepruese.”
73. Nenet 63 deri në 65 e ndalonin mbajtjen e uniformës armike si akt pabesie dhe ua hiqnin mbrojtjen prej ligjeve dhe zakoneve te luftës atyre që kryenin një veprim të tillë:
“63. Trupat që luftojnë nën uniformën e armiqve të tyre pa shenjë dalluese të qartë, të dukshme e të njëtrajtshme të identitetit të tyre, nuk mund të shpresojnë për mëshirë.
64. Në qoftë se ushtria amerikane kap bagazhe që përmbajnë uniforma armike dhe komanda e gjykon me vend që t’i shpërndajë ato për t’u mbajtur nga njerëzit e saj, do të përdoret një tregues a një shenjë e dallueshme e çfarëdoshme, me qëllim që të dallohet ushtari amerikan nga armiku.
65. Përdorimi i simbolit kombëtar, i flamurit ose i çdo embleme tjetër të kombësisë së armikut për ta mashtruar armikun, në luftim, është një akt pabesie që shkakton humbjen e çdo të drejte për mbrojtje nga ligjet e luftës.”
74. Së bashku me nenin 49, neni 71 përshkruante një status të veçantë, atë të personave që e drejta ndërkombëtare do t’i emërtonte më vonë me termin “jashtë luftimi”:
“Cilido që e plagos me dashje një armik tashmë krejtësisht të pafuqishëm, që e vret atë ose urdhëron që ai të vritet apo që i inkurajon ushtarët e tij për ta vrarë, do të ekzekutohet nëse vërtetohet fajësia e tij, qoftë kur i përket ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, qoftë kur është armik i kapur pasi e ka kryer krimin e tij.”
75. Nenet 76 dhe 77 shpallnin detyrimin për t’i trajtuar robërit e luftës me njerëzi dhe pa teprime në rast tentative për arratisje. Këto dispozita shpreheshin kështu:
“Robërve të luftës do t’u jepet një ushqim i shëndetshëm e i bollshëm, me sa të jetë e mundur, dhe ata do të trajtohen me njerëzi. (...)
77. Robi që kërkon të ikë mund të vritet me një plumb ose në çdolloj mënyre tjetër gjatë arratisjes së tij, por as vdekja, as kurrfarë dënimi tjetër nuk mund t’i jepet atij thjesht për tentativën e tij për arratisje, tentativë që e drejta e luftës nuk e konsideron si një krim. Pas një tentative të pasuksesshme për arratisje, do të merren masa më të rrepta sigurie. (...)”
76. Neni 101 e ndalonte shkaktimin e plagëve me anë të tradhtisë (një akt që barazohej në atë kohë me shkaktimin e plagëve me anë të pabesisë):
“Ndonëse dredhia pranohet në luftë si një mënyrë veprimi e drejtë dhe e nevojshme për zhvillimin e luftimeve dhe përputhet me nderin në kohë lufte, e drejta e zakonshme e luftës shkon deri në atë pikë sa e lejon ndëshkimin me dënim kapital të tentativave të fshehta e tradhtare për ta dëmtuar armikun, kur ato janë posaçërisht të rrezikshme dhe kur është veçanërisht e vështirë për t’u ruajtur prej tyre.”
77. Nenet 88 dhe 104 trajtonin ndëshkimin e spiunëve:
“88. Një spiun është një person që, fshehurazi, i maskuar ose nën një identitet të rremë, kërkon të dhëna me qëllim për t’ia komunikuar ato armikut. Spiuni rrezikon dënimin me vdekje me varje nga qafa, sado që ia ka dalë ose jo të mbledhë të dhëna ose t’ia komunikojë ato armikut.”
“104. Spiuni ose tradhtari i luftës i cili, pasi ia ka dalë të bashkohet përsëri me ushtrinë e tij, do të kapet më vonë si armik, nuk rrezikon kurrfarë dënimi për veprimet e tij si spiun apo tradhtar lufte, por ai mund t’i nënshtrohet një mbikëqyrjeje më të rreptë si individ personalisht i rrezikshëm.”
2. Deklarata për ndalimin e përdorimit të disa predhave në kohë lufte (“Deklarata e Shën-Petërburgut e vitit 1868”)
78. Kjo Deklaratë ishte marrëveshja e parë formale që synonte të ndalonte përdorimin e disa armëve gjatë luftës. Hyrja e saj rikujtonte tre parime të ligjeve dhe të zakoneve të luftës: i vetmi qëllim i ligjshëm gjatë luftës është dobësimi i forcave ushtarake të armikut, mjetet që mund të përdoren kundër forcave armike janë të kufizuara, dhe ligjet e zakonet e luftës nuk i falin ushtrimet e dhunës kundër personave jashtë luftimi.
3. Projekti i një Deklarate ndërkombëtare për ligjet dhe zakonet e luftës (“Projektdeklarata e Brukselit e vitit 1874”)
79. Kjo Deklaratë nuk u miratua në Konferencën Diplomatike të mbajtur në Bruksel më 1874, por ushtrimi i rëndësishëm kodifikues që përfaqësonte ajo la edhe ai gjurmë. Dispozitat e saj në lidhje me çështjen shpreheshin kështu:
“Kush duhet të njihet si palë ndërluftuese: luftëtarë dhe jo luftëtarë.
Neni 9. Ligjet, të drejtat dhe detyrat e luftës nuk zbatohen vetëm për ushtrinë, por edhe për forcat e parregullta e për trupat vullnetare që përmbushin kushtet e mëposhtme:
1. Të kenë në krye një person përgjegjës për vartësit e tij;
2. Të kenë një shenjë dalluese të pandryshueshme e që njihet nga larg;
3. T’i mbajnë armët haptazi, dhe
4. Të veprojnë në operacionet e tyre në përputhje me ligjet e me zakonet e luftës.
Në ato vende ku forcat e parregullta përbëjnë ushtrinë ose janë pjesë e saj, ato përfshihen nën emërtimin “ushtri”.
Neni 10. Popullsia e një territori jo të pushtuar, e cila, teksa afrohet armiku, rrëmben vetvetiu armët për t’i luftuar trupat pushtuese pa pasur kohë të organizohet sipas nenit 9, do të konsiderohet si ndërluftuese në qoftë se respekton ligjet dhe zakonet e luftës.
(...)
Neni 12. Ligjet e luftës nuk u njohin ndërluftuesve një pushtet të pakufishëm për sa i përket zgjedhjes së mjeteve për të dëmtuar armikun.
Neni 13. Sipas këtij parimi, janë veçanërisht “të ndaluar”:
(...)
b. Vrasja me tradhti e individëve që i përkasin kombit ose ushtrisë armike;
c. Vrasja e një armiku që, pasi i ka ulur armët dhe nuk ka më mjete për t’u mbrojtur, është dorëzuar me dëshirën e tij;
d. Deklarimi se nuk do të kihet mëshirë;
e. Përdorimi i armëve, predhave ose lëndëve që mund të shkaktojnë të këqija të panevojshme, si edhe përdorimi i predhave të ndaluara nga Deklarata e Shën-Petërburgut e vitit 1868;
f. Shpërdorimi i flamurit të armëpushimit, i flamurit kombëtar ose i emblemave ushtarake dhe i uniformave të armikut, si edhe i shenjave dalluese të Konventës së Gjenevës;
g. Çdo shkatërrim apo sekuestrim pasurish armike që nuk kërkohet me domosdoshmëri nga nevoja e luftës.
(...)
Neni 20. Spiuni i zënë në flagrancë do të gjykohet e trajtohet sipas ligjeve në fuqi në ushtrinë që e ka kapur atë.
Neni 23. Robërit e luftës janë armiq të ligjshëm e të çarmatosur. Ata janë nën pushtetin e Qeverisë armike, por jo të individëve ose të trupave që i kanë kapur. Ata duhet të trajtohen me njerëzi. Çdo akt mosbindjeje lejon që ndaj tyre të merren masat e nevojshme shtrënguese. Gjithçka që u përket atyre personalisht, me përjashtim të armëve, mbetet pronë e tyre.
(...)
Neni 28. Robërit e luftës u nënshtrohen ligjeve dhe rregulloreve në fuqi në ushtrinë në duart e së cilës ata ndodhen. Kundër një robi lufte në arrati lejohet, pas paralajmërimit, të përdoren armët. Kur kapet përsëri, ai mund të ndëshkohet me dënime disiplinore ose i nënshtrohet një mbikëqyrjeje më të rreptë.
Në qoftë se, pasi ia ka dalë të arratiset, ai bie përsëri rob, ai nuk mund të ndëshkohet me asnjë lloj dënimi për arratisjen e tij të mëparshme.”
4. Ligjet e luftës në tokë të vitit 1880 (“Manuali i Oksfordit i vitit 1880”)
80. Manuali i Oksfordit i vitit 1880, i frymëzuar nga Projektdeklarata e Brukselit e vitit 1874 dhe i hartuar nga Instituti i së Drejtës Ndërkombëtare, kishte si qëllim që të ndihmonte qeveritë për të hartuar legjislacionet e tyre kombëtare lidhur me ligjet e zakonet e luftës. Dispozitat që kanë lidhje me këtë çështje shpreheshin kështu:
“Neni 1. Gjendja e luftës përmban akte dhune vetëm midis forcave të armatosura të shteteve ndërluftuese. Personat që nuk janë pjesë e një force të armatosur ndërluftuese duhet t’u shmangen akteve të tilla. Ky rregull nënkupton një dallim ndërmjet individëve që përbëjnë “forcën e armatosur” dhe qytetarëve të tjerë të një shteti. Pra, për ta përcaktuar mirë se çfarë duhet kuptuar me “forcë të armatosur”, nevojitet një përkufizim.
Neni 2. Forca e armatosur e një shteti përfshin:
1. Ushtrinë e mirëfilltë, duke përfshirë edhe forcat e parregullta;
2. Gardat kombëtare, rezervistët e moshuar (landsturm), forcat e lira dhe trupa të tjera që përmbushin tre kushtet e mëposhtme:
a) Të jenë nën drejtimin e një shefi përgjegjës;
b) Të kenë një uniformë ose një shenjë dalluese, të pandryshueshme e të dukshme nga larg, të mbajtur nga personat që bëjnë pjesë në trupë;
c) T’i mbajnë armët haptazi;
3. Ekuipazhet e anijeve dhe të mjeteve të tjera lundruese luftarake;
4. Banorët e një territori jo të pushtuar të cilët, teksa afrohet armiku, rrokin armët vetvetiu e haptazi për të luftuar trupat pushtuese, edhe në qoftë se nuk kanë pasur kohë për t’u organizuar.
Neni 3. Çdo forcë e armatosur ndërluftuese është e detyruar të veprojë në përputhje me ligjet e luftës. (...)
Neni 4. Ligjet e luftës nuk u njohin ndërluftuesve liri të pakufizuar për sa u përket mjeteve për të dëmtuar armikun. Ata duhet t’i shmangen sidomos çdolloj ashpërsie të panevojshme, si edhe çdo veprimi të pabesë, të padrejtë e tiranik.
(...)
Neni 8. Është e ndaluar:
(...)
b) Të bëhet përpjekje për ta vrarë armikun me tradhti, për shembull duke vënë vrasës me pagesë ose duke bërë sikur dorëzohesh ;
c) Të sulmohet armiku duke i fshehur shenjat dalluese të forcës së armatosur;
d) Të përdoren padrejtësisht flamuri kombëtar, emblemat ushtarake ose uniforma e armikut, flamuri i armëpushimit si edhe shenjat mbrojtëse të përcaktuara nga “Konventa e Gjenevës” (...).
Neni 9. Është e ndaluar:
(...)
b) Të gjymtohet ose të vritet një armik që është dorëzuar me vullnetin e tij ose që është jashtë luftimi, si edhe të deklarohet paraprakisht se nuk do të kihet mëshirë, edhe sikur të mos kërkohet ndonjë e tillë për veten. (...)
Neni 20
(...)
e) Kush mund të bëhet rob lufte?
Neni 21. Individët që bëjnë pjesë te forcat e armatosura ndërluftuese, nëse bien në duart e armikut, duhet të trajtohen si robër lufte, në përputhje me nenin 61 e ata vijues. (...)”
81. Nenet 23 deri në 26, të cilët përbënin pjesën me titull “Rreth spiunëve”, merreshin me trajtimin e këtyre të fundit:
“Neni 23. Individët e kapur si spiunë nuk mund të kërkojnë të trajtohen si robër lufte.
Por
Neni 24. Nuk duhet të konsiderohen si spiunë individët që i takojnë njërës nga forcat e armatosura ndërluftuese e nuk janë të maskuar dhe të cilët kanë depërtuar në zonën e operacioneve të armikut, as korrierët që shpien letra zyrtare duke e kryer haptazi misionin e vet dhe aeronautët (neni 21).
Për të parandaluar shpërdorimet që, në kohë lufte, bëhen tepër shpesh me akuzat për spiunazh, ka rëndësi që të shpallet me zë të lartë se
Neni 25. Asnjë individ i akuzuar për spiunazh nuk duhet të ndëshkohet para se të jetë shprehur rreth fatit të tij një autoritet gjyqësor.
Madje, pranohet se
Neni 26. Spiuni që ia del të largohet nga territori i pushtuar prej armikut, nëse bie më vonë në duart e atij armiku, nuk mban asnjë përgjegjësi për veprimet e tij të mëparshme.”
82. Neni 32 b) e ndalonte në veçanti që të shkatërroheshin pronat publike ose private në qoftë se ky shkatërrim nuk diktohej nga ndonjë nevojë e domosdoshme lufte.
83. Kapitulli III trajtonte regjimin në të cilin duhej të mbaheshin robërit e luftës. Ai përshkruante bazën ligjore të burgimit të tyre (duke saktësuar se mbajtja rob nuk ishte as dënim, as veprim hakmarrjeje) dhe shpallte se robërit e luftës duhej të trajtoheshin me njerëzi (neni 63) dhe se ishte e mundur që të përdoreshin armët kundër një robi që arratisej (neni 68).
84. Pjesa e tretë e Manualit përkufizonte masat ndëshkimore të zbatueshme për shkeljet e rregullave të shpallura në Manual dhe tregonte rrethanat e ngushta në të cilat një ndërluftues mund të ushtronte ligjërisht reprezalje në qoftë se fajtori i pandehur nuk kapej dot:
“Nëse janë kryer shkelje të rregullave të mësipërme, fajtorët duhet të dënohen, pas një gjykimi me ballafaqim, nga pala ndërluftuese në duart e të cilës ata ndodhen. Pra,
Neni 84. Shkelësit e ligjeve të luftës dënohen me ndëshkimet e përcaktuara nga ligji penal.
Por kjo mënyrë ndëshkimi zbatohet vetëm kur mund të kapet fajtori. Në rast të kundërt, ligji penal është i pafuqishëm dhe, nëse pala e dëmtuar e gjykon dëmin aq të rëndë saqë del e ngutshme që armikut t’i kujtohet se duhet të respektojë të drejtën, asaj nuk i mbetet mjet tjetër përveçse të përdorë reprezalje ndaj tij. Reprezaljet janë një përjashtim i dhimbshëm nga parimi i përgjithshëm i drejtësisë sipas të cilit një i pafajshëm nuk duhet të vuajë për një fajtor dhe nga ai sipas të cilit çdo ndërluftues duhet të veprojë në përputhje me ligjet e luftës, edhe pa reciprocitet nga ana e armikut. Por kjo nevojë e vështirë zbutet nga kufizimet e mëposhtme:
Neni 85. Reprezaljet janë rreptësisht të ndaluara në rastin kur dëmi për të cilin është vendi të bëhet ankesë është shpaguar.
Neni 86. Në rastet e rënda kur reprezaljet paraqiten si një nevojë e domosdoshme, mënyra e ushtrimit të tyre dhe shtrirja e tyre nuk duhet ta kapërcejnë kurrë shkallën e shkeljes së kryer nga armiku. Ato mund të ushtrohen vetëm me lejen e kryekomandantit. Në të gjitha rastet, ato duhet të respektojnë ligjet e njerëzisë dhe të moralit.”
5. Konventa e Hagës e vitit 1907 për ligjet dhe zakonet e luftës në tokë dhe Rregullorja për ligjet dhe zakonet e luftës në tokë që ndodhej e bashkëngjitur me të
85. Konferenca e Parë Ndërkombëtare e Paqes, e mbajtur në Hagë më 1899, kishte çuar në miratimin e katër konventave, ndër të cilat Konventa e Dytë për Ligjet dhe Zakonet e Luftës në Tokë me Rregulloren që ndodhej bashkëngjitur me të. Pas Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Paqes, të mbajtur në Hagë më 1907, këto instrumente u zëvendësuan me Konventën e Katërt të vitit 1907 (“Konventa e Hagës e vitit 1907”) dhe me Rregulloren që i bashkëngjitej asaj (“Rregullorja e Hagës e vitit 1907”). Këto tekste mbështeteshin në Projektdeklaratën e Brukselit të vitit 1874 dhe në Manualin e Oksfordit të vitit 1880.
86. Konventa e Hagës e vitit 1907 shprehej kështu:
“Duke konsideruar se, krahas kërkimit të mjeteve për ruajtjen e paqes dhe për parandalimin e konflikteve të armatosura ndërmjet kombeve, ka rëndësi që të tregojnë shqetësim edhe për rastin kur dhënia e kushtrimit diktohet nga ngjarje që përkujdesja e tyre nuk ka mundur t’i shmangë dot;
Të nxitura nga dëshira për t’u shërbyer ende, në këtë hipotezë të skajshme, interesave të njerëzimit dhe kërkesave përherë në rritje të qytetërimit;
Duke vlerësuar se është me rëndësi, për këtë qëllim, të rishikohen ligjet e zakonet e përgjithshme të luftës, qoftë me qëllimin për t’i përkufizuar ato me më shumë saktësi, qoftë për të vendosur aty disa caqe që synojnë t’i kufizojnë sa të jetë e mundur ashpërsitë e tyre;
E kanë gjykuar të nevojshme të plotësojnë e të saktësojnë në disa pika veprën e Konferencës së Parë të Paqes, e cila, duke u frymëzuar, në vijim të Konferencës së Brukselit të vitit 1874, prej këtyre ideve të porositura me një largpamësi të mençur e bujare, ka miratuar dispozita që kanë si objekt përcaktimin dhe rregullimin e praktikave të mira të luftës në tokë.
Sipas pikëpamjeve të Palëve të Larta Kontraktuese, këto dispozita, hartimi i së cilave është frymëzuar nga dëshira për t’i pakësuar të këqijat e luftës, për aq sa e lejojnë nevojat ushtarake, kanë si qëllim t’u shërbejnë ndërluftuesve si rregull i përgjithshëm sjelljeje, në marrëdhëniet midis tyre dhe me popullsitë.
Megjithatë, nuk ka qenë e mundur të bashkërenditen që tani rregulla që i përfshijnë të gjitha rrethanat që paraqiten në praktikë;
Nga ana tjetër, nuk mund të ishte në qëllimet e Palëve të Larta Kontraktuese që rastet e paparashikuara, në mungesë të një rregulli të shkruar, t’i liheshin në dorë vlerësimit arbitrar të atyre që i drejtojnë ushtritë.
Në pritje që të mund të vendoset një Kod më i plotë i ligjeve të luftës, Palët e Larta Kontraktuese e gjykojnë të udhës të vënë re se, në rastet e papërfshira në dispozitat e rregulloreve të miratuara prej tyre, popullsitë dhe ndërluftuesit mbeten nën mbrojtjen dhe nën sundimin e parimeve të së drejtës së njerëzve, ashtu siç dalin ato nga praktikat e mira të vendosura ndërmjet kombeve të qytetëruara, nga ligjet e njerëzisë e nga kërkesat e ndërgjegjes publike.
Ato deklarojnë se pikërisht në këtë kuptim duhet të merren sidomos nenet 1 dhe 2 të Rregullores së miratuar.”
87. Paragrafi i tetë i citimit të mësipërm njihet nën emrin “klauzola Martens”. Një klauzolë e ngjashme ishte përfshirë tashmë në hyrjen e Konventës së Dytë të Hagës të vitit 1899; ajo u përsërit në thelb në secilën nga të katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 si edhe në Protokollin Shtesë të vitit 1977 (paragrafët 134-142 e mëposhtëm).
88. Neni 2 i Konventës së Hagës të vitit 1907 përmbante një klauzolë solidariteti “si omnes”, sipas së cilës Konventa dhe Rregullorja e Hagës e vitit 1907, ishin të zbatueshme vetëm midis fuqive kontraktuese dhe vetëm nëse ndërluftuesit ishin palë në atë Konventë. Gjithsesi, vendimi i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut pohoi më vonë se, më 1939, Konventa dhe Rregullorja e Hagës e vitit 1907, duhej të konsideroheshin si shpallëse publike të ligjeve dhe zakoneve të luftës (paragrafët 118 dhe 207 të mëposhtëm).
89. Dispozitat e tjera të Konventës së Hagës të vitit 1907 që lidhen me çështjen shpreheshin se:
“Neni 1. Fuqitë Kontraktuese do t’u japin forcave të tyre të armatosura tokësore udhëzime që do të jenë në përputhje me Rregulloren lidhur me ligjet dhe me zakonet e luftës në tokë, e cila i bashkëngjitet Konventës.
(...)
Neni 3. Ajo Palë ndërluftuese që do t’i shkelë dispozitat e kësaj Rregulloreje do të jetë e detyruar, nëse është rasti, të paguajë zhdëmtimin. Ajo do të jetë përgjegjëse për të gjitha veprimet e kryera nga personat që janë pjesëtarë të forcës së saj të armatosur.”
90. Nenet 1 dhe 2 të Rregullores së Hagës të vitit 1907 shpreheshin kështu:
“Neni 1. Ligjet, të drejtat dhe detyrat e luftës nuk zbatohen vetëm për ushtrinë, por edhe për forcat e parregullta dhe për trupat vullnetare që përmbushin kushtet e mëposhtme:
1. të kenë në krye një person përgjegjës për vartësit e tij;
2. të kenë një shenjë dalluese të pandryshueshme e që të njihet nga larg;
3. t’i mbajnë armët haptazi dhe
4. të veprojnë në operacionet e tyre në përputhje me ligjet e me zakonet e luftës.
Në vendet ku forcat e parregullta ose trupat vullnetare përbëjnë ushtrinë ose janë pjesë e saj, ato përfshihen nën emërtimin “ushtri”.
“Neni 2. Popullsia e një territori jo të pushtuar, e cila, teksa afrohet armiku, rrëmben vetvetiu armët për të luftuar trupat pushtuese pa pasur kohë të organizohet sipas nenit 1, do të konsiderohet si ndërluftuese në qoftë se i mban armët haptazi dhe nëse i respekton ligjet dhe zakonet e luftës.”
91. Kapitulli II (nenet 4 deri në 20) i Rregullores së Hagës përcaktonte rregullat e identifikimit të robërve të luftës, detyrimin për t’i trajtuar këta robër me njerëzi (neni 4) dhe atë për të përdorur vetëm masat shtrënguese të nevojshme në rast mosbindjeje (neni 8). Rregullorja përmbante nga ana tjetër edhe dispozitat e mëposhtme:
“Neni 22. Ndërluftuesit nuk kanë një të drejtë të pakufizuar për sa i përket zgjedhjes së mjeteve për të dëmtuar armikun.
Neni 23. Përveç ndalimeve të përcaktuara me konventa të posaçme, ndalohet në veçanti:
a. (...)
b. të vriten ose të plagosen me tradhti individë që i përkasin kombit ose ushtrisë armike;
c. të vritet ose të plagoset një armik që, pasi i ka ulur armët ose duke mos pasur më mjetet për t’u mbrojtur, është dorëzuar me vullnetin e tij;
d. (...)
e. të përdoren armë, predha ose lëndë që mund të shkaktojnë të këqija të panevojshme;
f. të përdoren padrejtësisht flamuri i armëpushimit, flamuri kombëtar ose simbolet ushtarake dhe uniforma e armikut, si edhe shenjat dalluese të Konventës së Gjenevës;
g. të shkatërrohen ose të sekuestrohen prona armike, me përjashtim të rasteve kur këto shkatërrime ose këto sekuestrime diktohen me domosdoshmëri nga nevojat e luftës;
h. të deklarohen të shuara, të pezulluara ose të papranueshme përpara gjykatës të drejtat dhe veprimet e shtetasve të Palës kundërshtare;
i. (...)
Neni 29. Nuk mund të konsiderohet si spiun përveçse individi i cili, dike vepruar fshehurazi ose nën pretekste të rreme, grumbullon ose kërkon të mbledhë informata në zonën e operacioneve të një ndërluftuesi, me synimin për t’ia komunikuar ato Palës kundërshtare. (...)
Neni 30. Spiuni i kapur në flagrancë nuk mund të dënohet pa u gjykuar paraprakisht.
Neni 31. Spiuni që, pasi i është bashkuar përsëri ushtrisë së cilës i përket, kapet më vonë nga armiku, trajtohet si rob lufte dhe nuk mban aspak përgjegjësi për veprimet e tij të mëparshme të spiunazhit.”
6. Raport i Komisionit për Përgjegjësitë e Shkaktarëve të Luftës dhe për Zbatimin e Sanksioneve (“Raporti i Komisionit Ndërkombëtar të vitit 1919”)
92. Ky Komision u ngarkua nga Konferenca e Paqes e Parisit që të hartonte një raport kushtuar, në veçanti, fakteve lidhur me shkeljet e ligjeve dhe të zakoneve të luftës nga forcat e Perandorisë Gjermane dhe të aleatëve të saj (sidomos të udhëheqësve turq), shkallës së përgjegjësisë të pjesëtarëve të forcave armike për këto krime, dhe krijimit e mënyrës së procedimit të një gjykate të ngarkuar për shqyrtimin e shkeljeve të tilla. Ky raport, i përfunduar më 1919, hartonte listën e rreth 900 kriminelëve të pandehur të luftës dhe, duke u mbështetur te klauzola Martens e Konventës së Hagës të vitit 1907, propozonte të viheshin nën akuzë, ndër të tjerë, udhëheqësit turq për “krime kundër ligjeve të njerëzisë”. Ai përfshinte përveç kësaj një listë jo të plotë me 32 shkelje të kryera gjatë luftës dhe të konsideruara si në kundërshtim me konventat dhe me zakonet në fuqi: ndër të tjera, vrasje e masakra, tortura ndaj civilëve, vendosje sanksionesh kolektive, shkretime e shkatërrime të papërligjura pasurish dhe keqtrajtime të plagosurish e robërish lufte.
93. Për sa i përket përgjegjësisë penale individuale, Komisioni deklaroi:
“Ndiqen penalisht të gjithë ata persona që i përkasin vendeve armiq e që, pavarësisht nga gjendja e rangu i tyre, duke përshirë edhe krerët e shteteve, janë bërë fajtorë për shkelje të ligjeve dhe të zakoneve të luftës ose të ligjeve të njerëzisë”.
7. Traktati i Versajës i vitit 1919
94. Ky traktat përmbante një numër dispozitash sipas të cilave kriminelët e luftës, duke përfshirë edhe perandorin e Gjermanisë, duhej të gjykoheshin e të dënoheshin në nivel ndërkombëtar. Dispozitat lidhur me ndjekjet penale nuk u vunë kurrë në zbatim: ekstradimi i perandorit nuk u pranua dhe ideja e një procesi ndërkombëtar për kriminelët e tjerë të pandehur të luftës u braktis në favor të një procesi të organizuar nga vetë Gjermania. Neni 229 parashikonte gjithashtu edhe mundësinë për t’i nxjerrë autorët e akteve kriminale kundër shtetasve të njërës nga Fuqitë Aleate e të bashkuara përpara gjykatave ushtarake të kësaj fuqie.
8. Traktati i Sevrës i vitit 1920
95. Traktati i Sevrës (marrëveshja e paqes midis Fuqive Aleate dhe Turqisë pas Luftës së Parë Botërore) përmbante dispozita (nenet 226 deri në 230) të ngjashme me ato të Traktatit të Versajës lidhur me nxjerrjen e udhëheqësve turq të akuzuar për shkelje të ligjeve dhe të zakoneve të luftës përpara gjykatave ushtarake nga ana e Fuqive Aleate. Si nuk u ratifikua kurrë, ky traktat u zëvendësua më në fund me një Deklaratë për Amnistinë, të nënshkruar në Lozanë më 24 korrik 1923 nga Franca, Britania e Madhe, Greqia, Italia, Japonia, Rumania dhe Turqia, e cila parashikonte se Greqia dhe Turqia jepnin “një amnisti të plotë e të përgjithshme (...) për të gjitha krimet e veprat penale të kryera (...) në lidhje të qartë me ngjarjet politike të ndodhura gjatë kësaj periudhe” (1 gusht 1914 – 20 nëntor 1922).
9. Projekti i Konventës për Mbrojtjen e Popullsive Civile kundër Mjeteve të Reja të Luftës (“Projekti i Konventës së Amsterdamit i vitit 1938”)
96. Ky projekt konvente, i hartuar nga Shoqata e së Drejtës Ndërkombëtare, nuk u miratua kurrë nga shtetet. Përkufizimi i tij rreth popullsisë civile nëpërmjet mënyrës mohuese përputhej me përkufizimin e dhënë nga Manuali i Oksfordit i vitit 1880:
“Neni 1. Popullsia civile e një shteti nuk do të bëhet objekt veprimesh lufte. Në kuptimin e kësaj Konvente, te “popullsia civile” përfshihen të gjithë ata që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt ose tërthorazi në mbrojtjen e territorit, të gjithë individët që nuk gjenden të rekrutuar në një prej shërbimeve luftarake të atij shteti.”
C. Praktika përpara Luftës së Dytë Botërore
1. Gjykatat ushtarake amerikane nga viti 1899 deri më 1902, Filipine[2]
97. Më 1901 e 1902, gjykatat ushtarake amerikane gjykuan një numër ushtarakësh amerikanë të akuzuar, ndër të tjera, për shkelje të ligjeve të luftës gjatë fushatës amerikane të zhvilluar në Filipine kundër kryengritjes dhe sidomos për ekzekutime pa gjyq. Të pakta në numër, konkluzionet e Judges Advocate General dhe të organeve të kontrollit përmbanin disa komente rreth ligjeve dhe zakoneve të luftës lidhur me çështje si përgjegjësia e oficerëve komandues dhe trajtimi i robërve të luftës. Këto komente kanë luajtur njëfarë roli në kodifikimet e mëvonshme. Proceset në fjalë përbëjnë një nga shembujt e parë të ndjekjeve penale të nisura në nivel kombëtar kundër ushtarakëve vendas të akuzuar se kanë kryer ndaj armikut krime që i shkelin ligjet e luftës.
98. Në procesin e majorit Waller, organi i kontrollit u shpreh si më poshtë:
“ligjet e luftës dhe fryma e kohës nuk e pranojnë dot që një oficer të mund të vrasë, sipas qejfit të tij, robër të pambrojtur që i janë besuar për t’i ruajtur. Çdo pikëpamje tjetër është qëndrim egërsire dhe e shpërfill kërkesën e arsyeshme të kombeve të qytetëruara sipas së cilës lufta duhet zhvilluar me sa më pak mizori e padrejtësi që të jetë e mundur.”
99. Në çështjen e majorit Glenn, Judge Advocate nënvizoi se, sado që ushtarët amerikanë vepronin në një situatë të vështirë kundër bandave të veçuara të kryengritësve që praktikonin luftë guerile në shkelje të hapur të rregullave të luftës së qytetëruar, ata nuk ishin të çliruar nga “detyrimi për të përmbushur rregullat e luftës në përpjekjet e tyre (...) për shtypjen e kryengritjes dhe rivendosjen e rendit publik.”
100. Në procesin e togerit Brown, të akuzuar për vrasjen e një robi lufte, Judge Advocate vuri në dukje se në Filipine ekzistonte një “gjendje lufte” dhe se fajësia e të akuzuarit duhej përcaktuar pra jo nën këndvështrimin e ligjit të vendit (lex loci), por nën atë të së drejtës ndërkombëtare, çka nënkuptonte në atë rast ligjet dhe zakonet e luftës.
2. Proceset e Lajpcigut
101. Pas Traktatit të Versajës, Gjermania nisi procedura përpara Gjykatës së Lartë të Lajpcigut. Fuqitë Aleate paraqitën 45 çështje (nga rreth 900 dosje që ishin përmendur në Raportin e Komisionit Ndërkombëtar të vitit 1919), të cilat kishin të bënin me trajtimin e robërve të luftës si edhe me një urdhër për silurimin e një anijeje spital britanike. Dymbëdhjetë procese u zhvilluan më 1921. Ato përfunduan me gjashtë dhënie pafajësie dhe me gjashtë dënime simbolike. Fuqitë Aleate vendosën që të mos u parashtronin çështje të tjera gjykatave gjermane.
102. Dënimet mbështeteshin në thelb tek e drejta ushtarake gjermane, por ato përmbanin disa referime të qarta ndaj të drejtës ndërkombëtare, si në rastin e vendimit Llandovery Castle:
“Mitralimi i mjeteve lundruese ishte në kundërshtim me të drejtën e kombeve. Në suazën e luftës në tokë, është e ndaluar të vriten armiq të paarmatosur ([Rregullorja e Hagës e vitit 1907] neni 23 c)); po ashtu, në suazën e luftës në det, është e ndaluar të vriten anijembytur që janë strehuar nëpër varka shpëtimi. (...) Siç e ka nënvizuar tashmë Senati, çdo shkelje e së drejtës së kombeve në luftë është një shkelje e dënueshme, në përgjithësi, në atë masë sa një dënim lidhet me veprimin. Në kontekstin e një lufte, vrasja e armiqve është në përputhje me vullnetin e shtetit në luftë (ligjet e të cilit lidhur me ligjshmërinë ose paligjshmërinë e vrasjeve janë vendimtare) vetëm në atë masë që ajo është në përputhje me kushtet e me kufizimet e diktuara nga e drejta e kombeve. (...) Rregulli i së drejtës ndërkombëtare për të cilin bëhet fjalë këtu është i thjeshtë e i njohur botërisht. Për sa i përket zbatueshmërisë së tij nuk mund të ketë dyshim. Në rastin e kësaj çështjeje, gjykata duhet ta njohë se Patzig është fajtor sepse ka vrarë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.”[3]
3. Ndjekjet penale kundër përfaqësuesve të Turqisë
103. Mbretëria e Bashkuar bëri përpjekje të konsiderueshme për të ndjekur penalisht disa oficerë turq për keqtrajtime ndaj robërve të luftës si edhe për krime të tjera të kryera gjatë Luftës së Parë Botërore. Duke qenë e mendimit se krimet në fjalë nuk i takonin “sferës të së drejtës vendase” por rregulloheshin nga “zakonet e luftës dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare”, ajo përkrahte mendimin që këto ndjekje të bëheshin përpara gjykatave ushtarake britanike të krijuara në territoret e pushtuara[4]. Më 1919 u ngritën një numër gjykatash ushtarake, por ato nuk mundën të funksionojnë për arsye të zhvillimeve të brendshme në Turqi. U krijuan edhe gjykata ushtarake turke dhe, megjithëse ngritjet e akuzave u bënë mbi bazën e Kodit Penal turk, dënimet e shpallura prej tyre mbështeteshin te nocionet e “njerëzisë” e të “qytetërimit”. Siç është saktësuar më lart, Traktati i Lozanës i vitit 1923 u dha fund këtyre ndjekjeve penale.
D. Ndëshkimi i krimeve të luftës gjatë Luftës së Dytë Botërore
1. Deklarata për Krimet e Luftës Gjermane, e nënshkruar nga përfaqësuesit e nëntë vendeve të pushtuara (“Deklarata e Seint Xhejmsit e vitit 1942”)
104. Në nëntor 1940, përfaqësuesit e qeverive polake dhe çeke në mërgim parashtruan ankesa për shkelje të ligjeve të luftës nga ana e trupave gjermane. Për kryeministrin britanik, ndëshkimi i krimeve të luftës ishte pjesë e përpjekjes luftarake dhe madje ashtu ishte për të gjitha shtetet e pushtuara nga Gjermania, si edhe për Kinën, për sa u takonte forcave pushtuese japoneze[5]. Më 1942, përfaqësuesit e vendeve të pushtuara nga forcat e Boshtit miratuan në Londër Deklaratën e Seint Xhejmsit për krimet e luftës dhe ndëshkimin e tyre. Hyrja e këtij teksti rikujtonte se e drejta ndërkombëtare, dhe në veçanti Konventa e Hagës e vitit 1907, nuk ua lejonte ndërluftuesve në vendet e pushtuara as ushtrimet e dhunës kundër civilëve, as mospërfilljen e ligjeve në fuqi, as përmbysjen e institucioneve kombëtare. Deklarata vijonte kështu:
“[Të nënshkruarit]
1. pohojnë se veprimet e dhunshme të ushtruara kështu kundër popullsive civile nuk kanë asgjë të përbashkët as me nocionin e veprimit luftarak, as me atë të krimit politik, ashtu siç i kuptojnë ato kombet e qytetëruara,
(...)
3. e caktojnë midis qëllimeve kryesore të luftës ndëshkimin, përmes mjeteve të një drejtësie të organizuar, të fajtorëve ose të përgjegjësve për këto krime, qofshin ata urdhërues, zbatues ose pjesëmarrës të tyre,
4. vendosin të kujdesen në një frymë solidariteti ndërkombëtar që a) fajtorët dhe përgjegjësit, cilësdo kombësi që t’i përkasin, të kërkohen, t’i jepen drejtësisë e të gjykohen, b) vendimet e shpallura të zbatohen.”
105. Në vijim të kësaj Deklarate u krijua (më 1943) Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës (“UNWCC”), i cili duhej të mblidhte prova rreth krimeve të luftës dhe dosjet e të cilit duhej të shërbenin për të përligjur ndjekjen e të akuzuarve nga autoritetet ushtarake[6]. Në përfundim të mandatit të tij, Komisioni kishte arritur të mblidhte 8 178 dosje lidhur me personat e dyshuar për krime lufte. Ai e miratoi në tërësi listën e shkeljeve që paraqitej në Raportin e Komisionit Ndërkombëtar të vitit 1919 (paragrafi 92 i mësipërm) dhe ia përshtati atë, në funksion të nevojave, situatës së Luftës së Dytë Botërore.
2. Ndjekja e krimeve të luftës nga BRSS-ja
106. Që në fillim të nëntorit 1941, BRSS-ja i informoi të gjitha vendet me të cilat mbante marrëdhënie diplomatike për krimet e luftës të kryera, në veçanti, nga Gjermania naziste në territoret e pushtuara[7]. Me qëllim që të regjistroheshin krimet për të cilat fajësoheshin forcat gjermane dhe që të përcaktohej identiteti i fajtorëve për t’i dërguar ata përpara drejtësisë, me një dekret që mban datën 2 nëntor 1942, u krijua “Komisioni i Jashtëzakonshëm Shtetëror për përcaktimin dhe hetimin e krimeve të kryera nga pushtuesit gjermano-fashistë e bashkëpunëtorët e tyre dhe të dëmit që i kanë shkaktuar ata qytetarëve, kolkozeve, shoqatave, ndërmarrjeve shtetërore dhe institucioneve të BRSS-së”. Punimet e këtij komisioni u përdorën më vonë në proceset e “Krasnodarit” e të “Harkovit” (shih këtu më pas).
107. Proceset e para ndaj qytetarëve sovjetikë (bashkëpunëtorë dhe trupa ndihmëse të forcave gjermane) u mbajtën në Krasnodar në janar 1943. Të akuzuarit u shpallën nga juridiksionet penale sovjetike fajtorë për vrasje dhe për tradhti të lartë sipas Kodit Penal sovjetik[8].
108. Pas kësaj, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BRSS-ja miratuan Deklaratën e Moskës të vitit 1943, e cila përfaqëson një nga tekstet kryesore të Luftës së Dytë Botërore lidhur me ndjekjen e kriminelëve të luftës. Ky tekst pohonte legjitimitetin e juridiksioneve kombëtare në veprimin e tyre ndëshkues kundër kriminelëve të luftës dhe qëllimin për t’i vazhduar ndjekjet penale pas luftës. Ai shprehej kështu në ato fragmente që lidhen me këtë çështje:
“tri fuqitë e lartpërmendura aleate, duke folur në emër dhe në interes të tridhjetë e tre Kombeve të Bashkuara, shpallin solemnisht sa më poshtë vijon dhe japin paralajmërim të shpalljes së tyre:
kur t’i jepet armëpushim një qeverie të formuar në Gjermani, cilado qoftë ajo, oficerët e ushtarët gjermanë dhe anëtarët e Partisë Naziste të cilët kanë qenë përgjegjës ose u kanë dhënë miratimin e tyre mizorive, masakrave dhe ekzekutimeve që janë kryer, do të dërgohen në vendet ku do t’i kenë bërë krimet e tyre të përbindshme, për t’u gjykuar e ndëshkuar aty në përputhje me ligjet e këtyre vendeve të çliruara dhe të qeverive të lira që do të jenë formuar.
(...)
Kështu, gjermanët që kanë marrë pjesë në pushkatimet në masë të oficerëve polakë, në ekzekutimin e pengjeve franceze, holandeze, belge, norvegjeze dhe të fshatarëve kretas, ose që kanë marrë pjesë në masakrat e kryera në Poloni e në territoret e Bashkimit Sovjetik që sot i janë shkëputur armikut, ata gjermanë do ta marrin vesh se do të shpihen në skenën e krimeve të tyre dhe do të gjykohen në vend nga popujt që do të kenë martirizuar.
Le ta dinë ata që deri tani nuk i kanë zhytur duart në gjakun e pafajshëm se çfarë i pret në qoftë se bëhen edhe ata vetë fajtorë. Sepse është e sigurt se të tria fuqitë aleate do t’i ndjekin deri në fund të dheut dhe do t’i dorëzojnë në duart e akuzuesve të tyre në mënyrë që të vihet në vend drejtësia.
Deklarata e mësipërme nuk e paragjykon rastin e kriminelëve gjermanë të luftës krimet e të cilëve janë kryer pa qenë e mundur që të lokalizohen gjeografikisht. Këta do të dënohen me një vendim të përbashkët të qeverive aleate.”
109. Kjo dispozitë e fundit parashikonte ndjekjen e kriminelëve gjermanë të luftës nga Bashkimi Sovjetik. Procesi i parë u zhvillua në Harkov në dhjetor 1943[9]. Presidiumi i Sovjetit Suprem kishte nxjerrë më 1943 një dekret ku tregoheshin dënimet e zbatueshme. Aktakuza i fajësonte të interesuarit se kishin mbytur me gaz mijëra banorë të Harkovit e të krahinës së tij, kishin kryer mizori ndaj civilëve, djegur fshatra, shfarosur gra, të moshuar e fëmijë, djegur për së gjalli e torturuar të plagosur e robër lufte. Prokuroria u mbështet te rregullat e luftës të shpallura në konventat ndërkombëtare (Konventa dhe Rregullorja e Hagës të vitit 1907 dhe Konventa e Gjenevës e vitit 1929, duke shënuar se Gjermania i kishte ratifikuar të gjitha ato) si dhe te parimet e pranuara botërisht të së drejtës ndërkombëtare. Aktakuza i referohej jo vetëm përgjegjësisë së qeverisë dhe komandës gjermane, por edhe përgjegjësisë personale të të akuzuarve (duke iu referuar proceseve të Lajpzigut). Pasi e pranuan përgjegjësinë e tyre dhe atë të eprorëve të vet hierarkikë, tre të akuzuarit u dënuan me varje. Proceset, karakteri i paanshëm i të cilave ka mundur të vihet në pikëpyetje më vonë, u përcollën gjerësisht prej medieve. Bashkimi Sovjetik priti përfundimin e luftës për të rinisur procese të tilla, të cilat u mbajtën gjithashtu edhe në Kiev, Minsk, Rigë, Leningrad, Smolensk, Briansk, Velikie Luki, e Nikolajev[10].
110. Menjëherë sapo u çliruan nga forcat gjermane territoret bullgare, gjykata popullore bullgare, në dhjetor 1944, dënoi për krime lufte njëmbëdhjetë bullgarë, në zbatim të Deklaratës së Moskës të vitit 1943[11].
3. Ndjekja e krimeve të luftës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
a) Manuali i ushtrive në fushatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Rregullorja e luftës në tokë, 1 tetor 1940
111. Shumë i plotë, ky manual u hartua nga Ministria amerikane e Luftës më 1940 dhe iu shpërnda forcave në fushatë. Ai përfshinte si rregulla zakonore të luftës ashtu edhe rregulla që rridhnin prej traktateve ku ishin palë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe interpretonte rregullat e konflikteve të armatosura që ishin të zbatueshme për forcat ushtarake amerikane në atë kohë. Ai i përshkruante “Parimet themelore” si më poshtë:
“Rregullat ose ligjet e pashkruara të luftës, siç është rënë dakord për t’i quajtur ato, përmbajnë tre parime themelore të ndërvarura, të cilat frymëzojnë të gjitha rregullat ose ligjet e tjera të luftës së qytetëruar, të shkruara ose të pashkruara, dhe përbëjnë udhërrëfyesin e përgjithshëm të sjelljes atëherë kur nuk është i zbatueshëm asnjë rregull më i saktë:
a) parimin e nevojës ushtarake, sipas të cilit, me kusht që të respektohen parimet e njerëzisë e të kalorësisë, një ndërluftuesi i lejohet të ushtrojë çdo shkallë e çdo tip force që të lypset për të arritur nënshtrimin e plotë të armikut duke humbur sa më pak që të jetë e mundur kohë, jetë njerëzore dhe para;
b) parimin e njerëzisë, i cili e ndalon përdorimin e çdo lloji ose shkalle dhune jo realisht të nevojshme për qëllimet e luftës; dhe
c) parimin e kalorësisë, i cili e dënon dhe e ndalon përdorimin e mjeteve, të mënyrave të veprimit dhe të sjelljeve që çnderojnë. (...)”
112. Paragrafi 8 i Manualit thoshte:
“Ndarja e përgjithshme e popullsisë armike – Popullsia armike është e ndarë, në kohë lufte, në dy kategori të mëdha: forcat e armatosura dhe popullsia paqësore. Të dyja kategoritë kanë të drejta, detyra dhe pazotësi të dallueshme, dhe askush nuk mund t’u përkasë njëkohësisht të dyja kategorive.”
113. Manualit vijonte kështu:
“Përcaktimi i statusit të trupave të zëna robër – Përcaktimi i statusit të trupave të zëna robër është kompetencë e autoritetit ushtarak epror ose e gjykatave ushtarake. Ekzekutimet pa gjyq nuk janë tanimë të parashikuara nga ligjet e luftës. Oficerit i bie për detyrë që t’i mbajë në burg individët e zënë robër dhe t’ia lërë autoritetit kompetent vlerësimin nëse bëhet fjalë për luftëtarë të rregullt, për luftëtarë të parregullt, për dezertorë, etj.
Pjesëmarrja në luftime e individëve që nuk u përkasin forcave të armatosura – Individët që rrokin armët dhe përfshihen në luftime pa i përmbushur kushtet e parashikuara nga ligjet e luftës për t’u njohur si ndërluftues dënohen me një ndëshkim si kriminelë lufte në rast se kapen nga pala e dëmtuar.
E drejta për një proces – Një individ mund të dënohet për një shkelje të ligjeve të luftës vetëm në zbatim të një vendimi të shpallur në përfundim të një procesi ku është pranuar fajësia e tij, të zhvilluar përpara një gjykate ushtarake ose një komisioni ushtarak ose çdolloj organi tjetër kompetent të caktuar nga ndërluftuesi.”
b) Çështja ex parte Quirin (1942, 317 U.S. 1)
114. Më 1942, tetë sabotatorë nazistë shkuan në Shtetet e Bashkuara, ku u kapën e pastaj u gjykuan nga një komision i fshehtë ushtarak, midis të tjerash, për shkelje të ligjeve të luftës (konkretisht, mbajtje veshjesh civile për të kapërcyer vijat armike përmes mashtrimit dhe për të kryer veprime sabotimi e spiunazhi dhe “veprime të tjera armiqësore”). Avokatët e tyre nisën një veprim për habeas corpus, i cili përfundoi në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit u shpreh kështu:
“Me anë të një marrëveshjeje dhe një praktike të përbotshme, ligjet e luftës vendosin një dallim midis forcave të armatosura dhe popullsive paqësore të kombeve ndërluftuese dhe midis luftëtarëve të rregullt dhe luftëtarëve të parregullt. Luftëtarët e rregullt mund të kapen e të mbahen të burgosur si robër lufte nga forcat ushtarake armike. Edhe luftëtarët e parregullt mund të kapen e të mbahen të burgosur, por përveç kësaj ata mund të gjykohen e dënohen nga gjykatat ushtarake për veprime që e kanë bërë të paligjshme qenien e tyre ndërluftues. Spiuni që i kapërcen fshehurazi e pa uniformë vijat e armatosura të një kombi ndërluftues në kohë lufte me qëllim për të mbledhur informata ushtarake dhe për t’ia komunikuar ato armikut, ose luftëtari armik që, pa mbajtur uniformë, kapërcen fshehurazi vijat për të zhvilluar luftë duke cenuar jetën dhe pasuritë, janë shembuj të rëndomtë ndërluftuesish të cilët konsiderohen përgjithësisht se nuk kanë të drejtë për statusin e robit të luftës, por se janë kundërvajtës të ligjeve të luftës, dhe të cilët u nënshtrohen gjykimit dhe sanksionimit nga gjykatat ushtarake.”
E. Proceset e mbajtur përpara gjykatave ushtarake ndërkombëtare (këtu më pas “GjUN”) pas Luftës së Dytë Botërore për veprime të kryera gjatë kësaj lufte
1. Marrëveshja e Potsdamit e vitit 1945
115. Marrëveshja e Potsdamit kishte të bënte me pushtimin dhe me rindërtimin e Gjermanisë e të kombeve të tjera pas kapitullimit të Gjermanisë në maj 1945. Ajo u hartua e u miratua nga BRSS-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar gjatë Konferencës së Potsdamit, e cila u mbajt nga 17 korriku deri më 2 gusht 1945. Lidhur me ndjekjen penale të kriminelëve të luftës, ajo shprehej:
“Tri qeveritë kanë mbajtur shënim shkëmbimet e pikëpamjeve që janë zhvilluar gjatë javëve të fundit në Londër ndërmjet përfaqësuesve britanikë, amerikanë e francezë, me synimin që të arrihet në një marrëveshje rreth metodave të gjykimit të kriminelëve kryesorë të luftës, krimet e të cilëve, sipas Deklaratës së Moskës të vitit 1943, nuk kanë lokalizim gjeografik të veçantë. Tri qeveritë ripohojnë synimin e tyre për të zbatuar ndaj këtyre kriminelëve një drejtësi të shpejtë e të sigurt; ato shpresojnë se negociatat e Londrës do të arrijnë në një marrëveshje të shpejtë në këtë drejtim dhe e konsiderojnë si diçka veçanërisht të rëndësishme që procesi i këtyre kriminelëve të mëdhenj të luftës të fillojë në një datë sa më të afërt që të jetë e mundur. Lista e parë e të akuzuarve do të shpallet përpara 1 shtatorit.”Marrëveshja lidhur me ndjekjen dhe ndëshkimin e kriminelëve të mëdhenj të luftës të fuqive evropiane të Boshtit (“Marrëveshja e Londrës e vitit 1945”)
116. Pa kapitullimit pa kushte të Gjermanisë, Fuqitë Aleate nënshkruan më 1945 Marrëveshjen e Londrës, fragmenti i së cilës që lidhet me çështjen në fjalë shprehej kështu:
“Duke pasur parasysh se Kombet e Bashkuara e kanë shpallur disa herë qëllimin e tyre për t’i nxjerrë përpara drejtësisë kriminelët e luftës;
Duke pasur parasysh se Deklarata e shpallur në Moskë më 30 tetor 1943 rreth mizorive gjermane në Evropën e pushtuar ka saktësuar se oficerët e ushtarët gjermanë dhe anëtarët e Partisë Naziste që janë përgjegjës për mizori dhe krime, ose që kanë marrë pjesë vullnetarisht në kryerjen e tyre, do të dërgohen në vendet ku janë kryer krimet e tyre të përbindshme, me qëllim që të mund të gjykohen e dënohen në përputhje me ligjet e këtyre vendeve të çliruara dhe të qeverive të lira që do të jenë vendosur aty;
Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ishte bërë duke u rezervuar për rastin e kriminelëve të mëdhenj krimet e të cilëve janë pa lokalizim gjeografik e që do të dënohen me një vendim të përbashkët të qeverive aleate;
Neni 1. Pas konsultimit me Këshillin e Kontrollit të Gjermanisë, do të krijohet një Gjykatë Ushtarake Ndërkombëtare, për të gjykuar kriminelët e luftës krimet e të cilëve janë pa lokalizim gjeografik të caktuar, qofshin ata të akuzuar në mënyrë individuale ose si anëtarë organizatash apo grupesh, ose për të dyja këto arsye.
Neni 2. Krijimi, juridiksioni dhe funksionet e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare parashikohen në Statutin që i bashkëngjitet kësaj Marrëveshjeje, Statut që është pjesë përbërëse e Marrëveshjes.
(...)
Neni 4. Asnjë dispozitë e kësaj Marrëveshjeje nuk i cenon parimet e përcaktuara nga Deklarata e Moskës për sa i përket dërgimit të kriminelëve të luftës në vendet ku ata i kanë kryer krimet e tyre.
(...)
Neni 6. Asnjë dispozitë e kësaj Marrëveshjeje nuk e cenon juridiksionin ose kompetencën e gjykatave kombëtare ose të gjykatave të pushtimit të ngritura tashmë apo që do të krijohen në territoret aleate ose në Gjermani për të gjykuar kriminelët e luftës.”
3. Statuti i GjUN-së së Nurembergut
117. I bashkëngjitur Marrëveshjes së Londrës të vitit 1954, Statuti i kësaj gjykate hartonte një listë jo gjithëpërfshirëse të shkeljeve të ligjeve dhe të zakoneve të luftës për të cilat ishin përgjegjës “udhëheqësit, organizuesit, nxitësit ose bashkëpunëtorët” dhe shpallte dënimet e zbatueshme:
“Neni 1. Në zbatim të Marrëveshjes së nënshkruar më 8 gusht 1945 nga Qeveria e Përkohshme e Republikës Franceze dhe Qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe të Irlandës së Veriut, dhe të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, do të krijohet një Gjykatë Ushtarake Ndërkombëtare (më poshtë e quajtur “Gjykata”) për të gjykuar e dënuar në mënyrë të përshtatshme e pa vonesë kriminelët e mëdhenj të luftës të vendeve evropiane të Boshtit. (...)
Neni 6. Gjykata e ngritur nga Marrëveshja e përmendur në nenin 1 të mësipërm për gjykimin dhe dënimin e kriminelëve të mëdhenj të luftës të vendeve evropiane të Boshtit do të jetë kompetente për të gjykuar dhe dënuar të gjithë personat që, duke vepruar për llogari të vendeve evropiane të Boshtit, do të kenë kryer, individualisht ose si anëtarë organizatash, cilindo nga krimet e mëposhtme.
Veprimet e mëposhtme, ose cilido prej tyre, janë krime që i nënshtrohen juridiksionit të Gjykatës dhe sjellin si pasojë një përgjegjësi individuale:
(...)
b) Krimet e Luftës: domethënë shkeljet e ligjeve dhe të zakoneve të luftës. Këto shkelje përfshijnë, pa u kufizuar vetëm aty, vrasjen, keqtrajtimet dhe internimin, për punë të detyruar ose për çdo qëllim, të popullsive civile në territoret e pushtuara, vrasjen ose keqtrajtimet e robërve të luftës ose të personave në det, ekzekutimin e pengjeve, plaçkitjen e pasurive publike ose private, shkatërrimin pa arsye të qyteteve dhe fshatrave ose shkretimin e tyre, kur ato nuk përligjen nga kërkesat ushtarake;
(...)
Udhëheqësit, organizatorët, nxitësit ose bashkëpunëtorët që kanë marrë pjesë në hartimin ose në zbatimin e një plani të bashkërenditur ose të një komploti për të kryer cilindo prej krimeve të përkufizuara më lart janë përgjegjës për të gjitha veprimet e kryera nga të gjithë personat në zbatim të atij plani.
(...)
“Neni 8. Fakti që i akuzuari ka vepruar në përputhje me udhëzimet e Qeverisë së tij ose të një eprori hierarkik nuk e çliron atë nga përgjegjësia e vet, por do të mund të konsiderohet si një arsye për zvogëlimin e dënimit, në qoftë se Gjykata vendos se ashtu e kërkon drejtësia.
(...)
“Neni 27. Kundër të akuzuarve të cilëve u vërtetohet fajësia, Gjykata do të mund të shpallë dënimin me vdekje ose çdo ndëshkim tjetër që ajo do ta çmojë se është i drejtë.
Neni 28. Përpos çdo dënimi që do të ketë dhënë, Gjykata do të ketë të drejtën për të urdhëruar ndaj të dënuarit konfiskimin e të gjitha pasurive të vjedhura dhe dorëzimin e tyre Këshillit të Kontrollit në Gjermani.”
4. Vendimi i GjUN-ës së Nurembergut[12]
118. Vendimi theksonte karakterin zakonor të Konventës dhe të Rregullores së Hagës të vitit 1907:
“Statuti është detyrues për Gjykatën për sa i përket përkufizimit të krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit. Por, qysh përpara Statutit, krimet e luftës të numëruara nga neni 6, b e merrnin cilësimin e tyre si krime lufte nga e drejta ndërkombëtare. Ato parashikoheshin nga nenet 46, 50, 52 e 56 të Konventës së Hagës të vitit 1907, si edhe nga nenet 2, 3, 4, 46 e 51 të Konventës së Gjenevës të vitit 1929. Nuk ka dyshim që shkelja e këtyre teksteve përbën një krim, duke sjellë si pasojë një ndëshkim.
Në rastin konkret, është pretenduar të shmanget Konventa e Hagës. Për këtë qëllim, i është bërë referim klauzolës së “pjesëmarrjes së përgjithshme” (neni 2) (...)
Mirëpo disa nga kombet që morën pjesë në luftën e fundit nuk e kishin nënshkruar Konventën.
Gjykata e gjykon si të kotë që të vendosë për këtë çështje. Rregullat e luftës tokësore që përmban Konventa realizonin sigurisht një përparim të së drejtës ndërkombëtare. Mirëpo, nga vetë termat e saj, del se ajo qe një përpjekje “për të rishikuar ligjet e përgjithshme dhe zakonet e luftës”, ekzistenca e të cilave ishte pra e pranuar. Më 1939, këto rregulla, të përfshira në Konventë, pranoheshin nga të gjitha shtetet e qytetëruara dhe shiheshin prej tyre si shprehja e kodifikuar e ligjeve dhe e zakoneve të luftës, të cilave u referohet neni 6, b i Statutit.”
119. Në pjesën me titull “Statuti përballë së drejtës”, vendimi saktësonte lidhur me krimet kundër paqes:
“Konventa e Hagës e vitit 1907 e ndalonte përdorimin e disa metodave në mënyrën e sjelljes në luftë. Ajo kishte parasysh aty trajtimin çnjerëzor të robërve, përdorimin e paligjshëm të flamurit të armëpushimit dhe disa praktika të tjera të së njëjtës kategori. Karakteri i palejueshëm i këtyre metodave ishte denoncuar shumë kohë përpara nënshkrimit të Konventës; por që prej vitit 1907 ato konsiderohen si krime që meritojnë sanksione sepse i shkelin ligjet e luftës. Megjithatë, Konventa e Hagës nuk i cilëson askund këto praktika si kriminale; ajo nuk parashikon asnjë dënim; ajo nuk përmend asnjë gjykatë të ngarkuar për t’i gjykuar e dënuar autorët e tyre. Mirëpo, prej shumë vitesh, gjykatat ushtarake gjykojnë dhe dënojnë persona fajtorë për shkelje të rregullave të luftës në tokë të përcaktuara nga Konventa e Hagës. (...) Duke interpretuar Paktin [Briand-Kellogg], nuk duhet harruar se, në kohën e sotme, e drejta ndërkombëtare nuk është vepër e ndonjë organizmi ligjvënës të përbashkët të shteteve. Parimet e saj janë rezultat marrëveshjesh, ashtu si Pakti [Briand-Kellogg], ku trajtohen gjëra të tjera dhe jo çështje administrative e procedure. Pavarësisht nga traktatet, ligjet e luftës dalin nga zakonet dhe praktikat e pranuara gradualisht e botërisht, nga doktrina e juristëve dhe nga jurisprudenca e gjykatave ushtarake. Kjo e drejtë nuk është e pandryshueshme, ajo i përshtatet pa reshtur nevojave të një bote që ndryshon. Shpeshherë, traktatet vetëm sa i shprehin e i saktësojnë parimet e një të drejte tashmë në fuqi.”
5. Statuti i GjUN-së së Tokios i vitit 1946
120. Ky Statut u miratua me një deklaratë të njëanshme të Komandës Supreme të Forcave Aleate më 19 janar 1946. Neni 5 i tij, në pjesën që ka lidhje me çështjen në fjalë, shprehej kështu:
“Gjykata do të jetë kompetente për të gjykuar dhe dënuar kriminelët e luftës të vendeve të Lindjes së Largët, të cilët do të kenë kryer, individualisht ose si anëtarë organizatash, vepra penale që përmbajnë krime kundër paqes.
Veprimet e mëposhtme, ose cilido prej tyre, janë krime që i nënshtrohen juridiksionit të Gjykatës dhe sjellin si pasojë një përgjegjësi individuale:
(...)
b) krimet e luftës sipas konventave: domethënë shkeljet e ligjeve dhe të zakoneve të luftës;
c) (...) udhëheqësit, organizatorët, nxitësit ose bashkëpunëtorët që kanë marrë pjesë në hartimin ose në zbatimin e një plani të bashkërenditur ose të një komploti për të kryer cilindo prej krimeve të përkufizuar më lart janë përgjegjës për të gjitha veprimet e kryera nga çdo person në zbatim të atij plani.”
6. Vendimi i GjUN-së së Tokios i vitit 1948
121. Lidhur me statusin e Konventës së Hagës të vitit 1907, vendimi i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare për Lindjen e Largët i 12 nëntorit 1948 vë në dukje:
“ (...) Efektiviteti i disa konventave të nënshkruara në Hagë më 18 tetor 1907 si detyrime të drejtpërdrejta të vendosura me marrëveshje është dobësuar në mënyrë të konsiderueshme për shkak të përfshirjes në ato tekste të një klauzole të quajtur “të pjesëmarrjes së përgjithshme”, sipas së cilës Konventa do të ishte e detyrueshme vetëm në rastin kur palë të saj janë të gjithë ndërluftuesit. Nga një këndvështrim rreptësisht juridik, efekti i kësaj klauzole është që ua heq disa konventave fuqinë e tyre detyruese si detyrime të drejtpërdrejta të vendosura me marrëveshje, qoftë që në fillimin e një lufte, qoftë gjatë saj, duke nisur nga momenti kur një fuqi jo nënshkruese, sado e papërfillshme të jetë ajo, u bashkohet radhëve të ndërluftuesve. Sado që detyrimi për t’i respektuar dispozitat e konventës së parë si një traktat shtrëngues mund të shmanget për shkak të efektit të “klauzolës së pjesëmarrjes së përgjithshme” apo ndryshe, konventa mbetet një pasqyrim i mirë i së drejtës zakonore të kombeve që Gjykata duhet ta marrë parasysh së bashku me të gjitha elementet e tjera të provës që disponohen, për të përcaktuar të drejtën zakonore që duhet zbatuar në çdo situatë konkrete. (...)”
7. Parimet e Nurembergut
122. Rreth mesit të viteve 1950, Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare miratoi shtatë “Parimet e Nurembergut”, që ishin përmbledhje e “parimeve të së drejtës ndërkombëtare të pranuara” nga Statuti dhe nga vendimi i GjUN-së së Nurembergut:
“Parimi 1: Çdo autor i një vepre që përbën krim sipas së drejtës ndërkombëtare mban përgjegjësi për të dhe mund të ndëshkohet.
Parimi 2: Fakti që e drejta e brendshme nuk e dënon një veprim i cili përbën krim sipas të drejtës ndërkombëtare nuk e zhvesh atë që e ka kryer nga përgjegjësia sipas së drejtës ndërkombëtare.
(...)
Parimi 4: Fakti që një person ka vepruar me urdhër të qeverisë së tij ose të një eprori hierarkik nuk e zhvesh atë nga përgjegjësia sipas së drejtës ndërkombëtare, në qoftë se ai e ka pasur moralisht mundësinë për të zgjedhur.
Parimi 5: Çdo person i akuzuar për një krim sipas së drejtës ndërkombëtare ka të drejtë për një proces të paanshëm, si për sa i përket fakteve ashtu edhe për sa i përket ligjit.
Parimi 6: Krimet e numëruara këtu më pas dënohen si krime sipas së drejtës ndërkombëtare.
(...)
b) Krime lufte: Shkeljet e ligjeve dhe të zakoneve të luftës, të cilat përfshijnë, pa u kufizuar vetëm aty, vrasjen, keqtrajtimet ose internimin për punë të detyruar, ose për çdo qëllim tjetër, të popullsive civile në territoret e pushtuara, vrasjen ose keqtrajtimet e robërve të luftës ose të personave në det, ekzekutimin e pengjeve, plaçkitjen e pasurive publike ose private, shkatërrimin për prapësi të qyteteve dhe fshatrave ose shkretimin e tyre, kur ato nuk përligjen nga kërkesat ushtarake.
(...)
Parimi 7: Bashkëpunimi në një krim kundër paqes, në një krim lufte ose në një krim kundër njerëzimit, ashtu siç përkufizohen ato në parimin 6, është një krim sipas së drejtës ndërkombëtare.”
F. Paditë për krime lufte të ngritura në nivel kombëtar pas Luftës së Dytë Botërore lidhur me veprime të kryera gjatë kësaj lufte
1. Ligji nr. 10 i Këshillit të Kontrollit Aleat – Ndëshkimi i personave fajtorë për krime lufte, për krime kundër paqes dhe për krime kundër njerëzimit (“Ligji nr. 10 i Këshillit të Kontrollit”) dhe “çështja e pengjeve”
123. Ligji nr. 10 i Këshillit të Kontrollit u nxor në dhjetor 1945 nga Këshilli i Kontrollit Aleat në Gjermani, për të krijuar në këtë vend një bazë juridike të njëtrajtshme për paditë gjyqësore kundër kriminelëve të luftës (përveç atyre të nxjerrë përpara GjUN-së së Nurembergut). Neni 1 shpallte se Deklarata e Moskës e vitit 1943 dhe Marrëveshja e Londrës e vitit 1945 bëheshin pjesë përbërëse e ligjit. Neni II 5) thoshte kështu:
“Në asnjë proces ose padi për njërin nga krimet e përmendura më lart, i akuzuari nuk do të ketë të drejtë t’i referohet përfitimit nga ndonjë parashkrim i plotësuar gjatë periudhës nga 30 janari 1933 deri më 1 korrik 1945. (...)”
124. Ky ligj pohonte gjithashtu se krime lufte përbënin edhe disa veprime pothuajse të njëjta me ato që përmendeshin në nenin 6 b) të Statutit të GjUN-së. Ai thoshte se një person konsiderohej se kishte kryer një krim lufte, si në rastin kur kishte vepruar në cilësinë e autorit ashtu edhe në atë të bashkëpunëtorit, nëse ai kishte urdhëruar ose favorizuar kryerjen e tij, nëse e kishte pranuar atë, nëse kishte marrë pjesë në plane apo në sipërmarrje për atë qëllim ose nëse kishte qenë pjesëtar i një organizate a i një grupi të përzier në kryerjen e krimit në fjalë. Ai parashikonte gjithashtu edhe ndëshkimet.
125. Në çështjen e pengjeve (Wilhelm List)[13], të akuzuarve u kërkohej të përgjigjeshin për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata fajësoheshin se kishin ngritur një sistem vrasjesh me anë të reprezaljeve në territoret e pushtuara dhe se kishin ekzekutuar pa gjyq ushtarë italianë që ishin dorëzuar. Sipas vendimit të dhënë në atë çështje, krimet e përmendura në Statutin e GjUN-së së Nurembergut ishin një shpallje juridike e ligjeve dhe e zakoneve ekzistuese të luftës.
126. Vendimi përmbante fragmentin e mëposhtëm lidhur me ekzekutimin e pushkatarëve të lirë:
“[Listi ishte] ishte i autorizuar ta paqësonte vendin me ndihmën e forcës ushtarake; atij i ishte dhënë tagër për t’i ndëshkuar pushkatarët e lirë që kishin sulmuar trupat e tij apo sabotuar mjetet e tij të transportit e të komunikacionit; [...] kjo do të thotë, sigurisht, se pjesëtarët e kapur të grupeve të parregullta nuk kishin të drejtë të trajtoheshin si robër lufte. Të akuzuarve nuk u kërkohet dot llogari për asnjë krim për faktin që kanë vrarë pjesëtarët e kapur të forcave të rezistencës, meqenëse ishte fjala për pushkatarë të lirë.”
127. Lidhur me nevojën ushtarake, vendimi shprehej kështu:
“Nevoja ushtarake ia lejon një ndërluftuesi që, në respektim të së drejtës së luftës, të ushtrojë të gjithë forcën e nevojshme për të arritur nënshtrimin e plotë të armikut duke humbur sa më pak që të jetë e mundur kohë, jetë njerëzore e para. Në mënyrë të përgjithshme, ky nocion i jep të drejtë një pushtuesi që të marrë masat e nevojshme për sigurinë e forcave të tij dhe për suksesin e operacioneve që ai kryen. Ajo ia lejon atij që të eliminojë armiq të armatosur si edhe persona të tjerë eliminimi i të cilëve bëhet gjithashtu i pashmangshëm për shkak të konflikteve të armatosura të luftës; ajo i jep atij të drejtë të kapë armiq të armatosur si edhe persona të tjerë që paraqesin një rrezik të veçantë, por nuk ia lejon të vrasë banorë të pafajshëm për të shuar ndonjë etje për hakmarrje a për vrasje. Për të qenë legjitim, shkatërrimi i pasurive duhet të jetë medoemos i kërkuar nga nevojat e luftës. Shkatërrimi që konsiderohet si qëllim në vetvete është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Midis shkatërrimit të pasurive dhe pakësimit të forcave armike duhet të ketë një lidhje të arsyeshme.”
128. Pasi saktësonte se mungesa e deklarimit të luftës në mënyrë zyrtare midis Gjermanisë dhe Italisë hidhte dyshime serioze mbi çështjen nëse oficerëve italianë të ekzekutuar ishte dashur apo jo t’u njihej statusi i robërve të luftës, gjykata, duke e hedhur vështrimin përtej kësaj çështjeje, doli në përfundimin se ekzekutimi i tyre pa gjyq ishte “i paligjshëm dhe krejtësisht i papërligjur”.
2. Procese të tjera të zhvilluara në nivel kombëtar
129. Pas vitit 1945, gjykata të ndryshme kombëtare, sidomos disa gjykata civile dhe ushtarake australiane, britanike, kanadeze, kineze, franceze dhe norvegjeze, nisën procedime për krime lufte lidhur me veprime të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore[14]. Të gjitha këto çështje kishin të bënin me shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës. Në shumë prej tyre u theksua nevoja për të zhvilluar procese të drejta para se të dënoheshin autorët e pandehur për krime lufte. Në disa vendime u saktësua se, për një gjykatë kombëtare, ishte e ligjshme që ajo t’i referohej ligjeve dhe zakoneve ndërkombëtare të luftës. Disa të tjera u referoheshin rregullave rreth shkatërrimeve të panevojshme të pasurive që u përkisnin civilëve ose rreth mbajtjes së paligjshme të uniformës së armikut. Në një numër rastesh, gjyqtarët iu referuan përgjegjësisë individuale të komandantëve.
G. Konventa të mëvonshme
1. Konventa për Paparashkrueshmërinë e Krimeve të Luftës dhe të Krimeve kundër Njerëzimit (“Konventa e vitit 1968”)
130. Kjo Konventë, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar në nëntor 1968, e ka zanafillën te përkujdesja për të shmangur mundësinë që kriminelë të pandehur lufte (të Luftës së Dytë Botërore) ende jo të arrestuar t’i shpëtojnë ndjekjeve me kalimin e kohës.
131. E hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970, Konventa e vitit 1968 u ratifikua nga Bashkimi Sovjetik më 1969 dhe nga Letonia më 14 prill 1992. Fragmenti i saj që lidhet me çështjen në fjalë shprehet si më poshtë:
“Hyrje
(...)
Duke vëne re se në asnjë nga deklaratat solemne, aktet e konventat që synojnë ndjekjen penale dhe ndëshkimin e krimeve të luftës e të krimeve kundër njerëzimit nuk është parashikuar ndonjë kufizim në kohë,
Duke pasur parasysh se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit bëjnë pjesë në krimet më të rënda sipas së drejtës ndërkombëtare,
Të bindur se ndëshkimi efektiv i krimeve të luftës dhe i krimeve kundër njerëzimit është një element i rëndësishëm i parandalimit të këtyre krimeve, i mbrojtjes të së drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, i aftë për të ngjallur besimin, për të nxitur bashkëpunimin mes popujve dhe për të favorizuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,
Duke vënë re se zbatimi për krimet e luftës dhe për krimet kundër njerëzimit i rregullave të së drejtës së brendshme lidhur me parashkrimin e krimeve ordinere e shqetëson thellësisht opinionin publik botëror, sepse bëhet pengesë që personat përgjegjës për këto krime të ndiqen penalisht e të ndëshkohen,
Duke pranuar se është e nevojshme dhe me vend që të pohohet në të drejtën ndërkombëtare, me anë të kësaj Konvente, parimi i paparashkrueshmërisë së krimeve të luftës e të krimeve kundër njerëzimit dhe që të sigurohet zbatimi i tij i përbotshëm”
132. Neni 1 i Konventës së vitit 1968 thotë:
“Krimet e mëposhtme janë të paparashkrueshme, cilado qoftë data kur janë kryer:
a) Krimet e luftës, ashtu siç përcaktohen ato në Statutin e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut të 8 gushtit 1945 dhe siç pohohen nga Rezolutat 3 (I) dhe 95 (I) të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të datave 13 shkurt 1946 dhe 11 dhjetor 1946, sidomos “veprat e rënda penale” të numëruara në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949 për mbrojtjen e viktimave të luftës; (...)”
2. Konventa Evropiane për Paparashkrueshmërinë e Krimeve kundër Njerëzimit e të Krimeve të Luftës (“Konventa e vitit 1974”)
133. Kjo Konventë zbatohet për krimet e kryera përpara miratimit të saj dhe ende të paparashkruara. E nënshkruar vetëm nga dy shtete në çastin e depozitimit të saj (Franca dhe Vendet e Ulëta), ajo ka hyrë në fuqi më 2003, pas ratifikimit të tretë (Belgjika). As BRSS-ja, as Letonia nuk e kanë ratifikuar.
3. Protokolli Shtesë i Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 (“Protokolli Shtesë i vitit 1977”)
134. Protokolli i Konventave të Gjenevës kishte për qëllim të zhvillonte dhe të ripohonte një pjesë të mirë të ligjeve dhe të zakoneve të luftës, duke pasur parasysh vjetërsinë e shumicës së teksteve mbi të cilat bazoheshin këto konventa (veçanërisht Konventën e Hagës së vitit 1907). Shumë nga dispozitat e tij vetëm sa i rishpallin ligjet dhe zakonet ekzistuese të luftës, disa të tjera janë me natyrë ligjvënëse.
135. Dy më të parat “rregulla themelore” të luftës ndodhen të përshkruara në nenin 35 të këtij teksti:
“1. Në çdo konflikt të armatosur, e drejta e Palëve në konflikt për të zgjedhur metodat ose mjetet luftarake nuk është e pakufizuar;
2. Është e ndaluar të përdoren armë, predha e lëndë, si edhe metoda luftarake që mund të shkaktojnë dëme të panevojshme.”
136. Neni 39 thotë:
“1. Në një konflikt të armatosur, është e ndaluar të përdoren flamurë, simbole, shenja ose uniforma ushtarake shtetesh asnjanëse ose shtetesh të tjera jo Palë në konflikt.
2. Është e ndaluar të përdoren flamurët, simbolet, shenjat ose uniformat ushtarake të Palëve kundërshtare gjatë sulmeve ose për të maskuar, favorizuar, mbrojtur ose penguar operacione ushtarake.”
137. Neni 41 pohon mbrojtjen e personave jashtë luftimi:
“1. Asnjë person që, duke pasur parasysh rrethanat, është njohur ose duhet të njihet si i dalë jashtë luftimi, nuk duhet të jetë objekt sulmi.
2. Është jashtë luftimi çdo person:
a) i cili është në duart e një Pale kundërshtare,
b) i cili shpreh qartazi qëllimin e tij për t’u dorëzuar, ose
c) i cili i ka humbur ndjenjat ose është në një mënyrë tjetër në gjendje paaftësie për shkak plagësh ose sëmundjeje dhe, për rrjedhojë, i paaftë për t’u mbrojtur,
me kusht që, në të gjitha rastet, ai të mos bëjë asnjë veprim armiqësie e të mos përpiqet të ikë.
138. Neni 48 njeh parimin e dallimit:
“Për të siguruar respektimin e mbrojtjen e popullsisë civile dhe të pasurive me karakter civil, Palët në konflikt duhet të bëjnë kurdoherë dallimin midis popullsisë civile dhe luftëtarëve, si edhe midis pasurive me karakter civil dhe objektivave ushtarakë e, për pasojë, t’i drejtojnë operacionet e tyre vetëm kundër objektivave ushtarakë.”
139. Neni 50 thotë se konsiderohet si civil çdo person që nuk u përket forcave ushtarake. Kjo dispozitë shprehet kështu:
“1. Konsiderohet si civil çdo person që nuk i përket njërës nga kategoritë e përmendura në nenin 4 A, 1), 2), 3) e 6) të Konventës III dhe nenit 43 të këtij Protokolli[15]. Në rast dyshimi, personi në fjalë do të konsiderohet si civil.
2. Popullsia civile përfshin të gjithë personat civilë.
4. Prania në gjirin e popullsisë civile të personave të veçantë që nuk i përgjigjen përkufizimit të personit civil nuk ia heq kësaj popullsie cilësinë e saj.”
140. Neni 51 trajton mbrojtjen që u jepet civilëve:
“Popullsia civile dhe personat civilë gëzojnë një mbrojtje të përgjithshme kundër rreziqeve që rrjedhin nga operacionet ushtarake. Për ta bërë këtë mbrojtje efektive, duhet të respektohen në çdo rrethanë rregullat e mëposhtme, të cilat u shtohen rregullave të tjera të së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme.
2. Objekt sulmesh nuk duhet të jenë as popullsia civile si e tillë, as personat civilë. Janë të ndaluara veprimet e dhunës ose kërcënimet për veprime dhune qëllimi kryesor i së cilave është që të përhapin tmerrin mes popullsisë civile.
3. Personat civilë e gëzojnë mbrojtjen që u jepet nga ky Seksion, me përjashtim të rastit nëse ata marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime dhe për sa kohë që zgjat kjo pjesëmarrje.”
141. Neni 52 përsërit rregullin zakonor sipas të cilit një pasuri me karakter civil (që nuk është objektiv ushtarak) nuk duhet të jetë objekt sulmesh. Paragrafi 3 i tij thotë :
“Në rast dyshimi, një pasuri e cila është e caktuar normalisht për një përdorim civil, si një vend kulti, një shtëpi, një lloj tjetër banese ose një shkollë, prezumohet se nuk përdoret për t’i sjellë një ndihmesë efektive veprimit ushtarak.”
142. Neni 75 u ofron mbrojtje personave që ndodhen në duart e njërës palë ndërluftuese dhe të cilët nuk përfitojnë nga ndonjë status i veçantë mbrojtës (ai i robit të luftës, për shembull) sipas ligjeve dhe zakoneve të luftës.
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 7 TË KONVENTËS
143. Duke iu referuar nenit 7 të Konventës, paditësi ankohet se është bërë objekt i një zbatimi prapaveprues të së drejtës penale. Ai mbrohet duke thënë se veprimet për të cilat është dënuar nuk përbënin një vepër penale në çastin e kryerjes së tyre më 1944 dhe se paragrafi 2 i nenit 7 nuk ka qenë i zbatueshëm, meqenëse faktet e fajësuara nuk përfshihen në fushën e zbatimit të kësaj dispozite. Neni 7 i Konventës thotë:
“1. Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose një mosveprim që, në momentin kur është kryer, nuk përbënte vepër penale sipas së drejtës së brendshme ose ndërkombëtare. Po ashtu, nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në momentin kur është kryer vepra penale.
2. Ky nen nuk do të ndikojë mbi gjykimin dhe dënimin e një personi për një veprim ose mosveprim, i cili, në momentin kur është kryer, quhej vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara.”
A. Vendimi i dhomës
144. Dhoma ka shqyrtuar ankesën e paditësit lidhur me nenin 7 § 1 të Konventës. Ajo ka çmuar se neni 68 § 3 i Kodit Penal të vitit 1961 ishte i bazuar më shumë në të drejtën ndërkombëtare sesa në të drejtën e brendshme dhe se tekstet ndërkombëtare që lidheshin me çështjen ishin Konventa dhe Rregullorja e Hagës të vitit 1907. Ajo ka vënë re se Konventa e Katërt e Gjenevës e vitit 1949 dhe Protokolli Shtesë i vitit 1977 ishin miratuar pas veprimeve që janë objekt i kësaj çështjeje, të kryera në maj 1944, dhe nuk kishin efekt prapaveprues. Ajo ka nxjerrë në dukje se parimet e Konventës së Hagës të vitit 1907 ishin të njohura gjerësisht, se ato kishin karakter të përgjithshëm dhe përbënin rregullat zakonore themelore të jus in bello më 1944, dhe se në këto kushte ato gjenin zbatim lidhur me veprimet për të cilat akuzohej paditësi.
145. Duke shqyrtuar nëse ekzistonte një bazë e pranueshme për ta dënuar paditësin për krime lufte dhe nëse kishte arsye që i interesuari të mund ta parashikonte në atë kohë se sjellja e njësitit të tij më 27 maj 1944 e bënte atë fajtor për krime të tilla, dhoma ka shënuar se sektori i Mazie Batit ishte i përfshirë nga sulme të kryera veçanërisht nga forcat ndihmëse letone në shërbim të administratës gjermane.
146. Ajo ka shqyrtuar pastaj statusin juridik të fshatarëve dhe ka vendosur një dallim midis burrave dhe grave që ishin vrarë. Për sa u takon burrave, ajo ka konsideruar se paditësi ka mundur t’i marrë ata në mënyrë legjitime për bashkëpunëtorë të ushtrisë gjermane dhe se, sado që ata nuk i plotësonin të gjitha kriteret e përkufizimit si luftëtarë, jus in bello nuk e lejonte që ata të cilësoheshin automatikisht si “civilë” a contrario. Duke qenë i saktësuar kështu statusi juridik i fshatarëve dhe duke qenë se paditësi ishte një “luftëtar”, dhoma ka çmuar se nuk ishte provuar që sulmi i 27 majit 1944 ishte në vetvete në kundërshtim me ligjet e zakonet e luftës të kodifikuara nga Rregullorja e Hagës e vitit 1907 dhe as që ajo mund të shërbente si bazë për dënimin e të interesuarit si komandant i njësitit.
147. Për sa u përket grave që ishin vrarë gjatë operacionit, dhoma ka konsideruar se, në qoftë se ato kishin bashkëpunuar me administratën gjermane, zbatohej konkluzioni i mësipërm dhe, nëse vdekja e tyre kishte ardhur si rezultat i një teprimi me pushtetin, kjo nuk mund të shihej si shkelje e jus in bello dhe veprimi i organit të akuzës lidhur me aktet në fjalë ishte përfundimisht i parashkruar që prej vitit 1954 sipas së drejtës së brendshme. Sipas dhomës, që paditësi të dënohej gati një gjysmë shekulli pas mbarimit të afatit të parashkrimit, kjo ishte në kundërshtim me parimin e parashikueshmërisë.
148. Së fundi, dhoma ka gjykuar se nuk ishte me vend që çështja të shqyrtohej nën këndvështrimin e nenit 7 § 2. Ajo ka qenë në fakt e mendimit se, edhe sikur të ishte e zbatueshme kjo dispozitë, operacioni i zhvilluar më 27 maj 1944 nuk mund të paraqitej si “vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara.”
B. Tezat e mbrojtura përpara Dhomës së Madhe
1. Qeveria e paditur
149. Qeveria e paditur e kundërshton arsyetimin dhe konkluzionin e dhomës.
150. Ajo mbron idenë se veprimet e paditësit kishin një karakter kriminal në kohën kur janë kryer, qoftë sipas së drejtës ndërkombëtare ashtu edhe sipas së drejtës kombëtare, dhe se në këto kushte çështja duhej me të vërtetë të shqyrtohej nën këndvështrimin e nenit 7 § 1 të Konventës. Ajo është e mendimit se Gjykata ka për rol, sipas këtij neni, të përcaktojë nëse ekzistonte një dispozitë juridike mjaftueshëm e qartë dhe e përdorshme që i fajësonte disa veprime dhe, në veçanti, nëse juridiksionet letone kishin të drejtë të bazoheshin te neni 68 § 3 i Kodit Penal të vitit 1961 e, duke vepruar kështu, të mbështeteshin tek elementet e së drejtës ndërkombëtare që lidhen me çështjen. Lidhur me këtë, ajo mbron idenë se fajësimi mund të dilte si rezultat i së drejtës kombëtare ose ndërkombëtare, të shkruar e jo të shkruar, dhe se neni 7 nuk e përjashton një sqarim gradual të rregullave të përgjegjësisë penale përmes interpretimit gjyqësor, mjafton që rezultati të jetë koherent me thelbin e veprës penale. Një zhvillim i tillë i së drejtës penale do të ishte aq më shumë i rëndësishëm në rastin e një shteti ligjor demokratik të ardhur pas një regjimi totalitar e që merr përsipër detyrimin për t’i ndjekur penalisht kriminelët e regjimit të kaluar.
151. Qeveria është sidoqoftë e mendimit se dhoma e ka tejkaluar rolin e saj ndihmës duke u mbështetur në një bazë faktesh që i shmanget asaj të vendosur nga juridiksionet e brendshme, ndonëse paska gjykuar se ato kanë vepruar në përputhje me nenin 6. Në të vërtetë, duke bërë një vlerësim të ri të fakteve, dhoma paska shpërfillur disa rrethana kyçe të ngjarjeve të 27 majit 1944, ashtu siç i paskësh përcaktuar ato Dhoma e Çështjeve Penale dhe ripohuar Senati i Gjykatës së Lartë, sidomos për sa i takon vërtetësisë së një vendimi nga një gjykatë partizanësh që i paskësh dënuar fshatarët e Mazie Batit. Një vendim i tillë do të kishte qenë gjithsesi i paligjshëm, sepse qenkësh dhënë në mungesë, në kundërshtim me parimet më themelore për një proces të drejtë. Qeveria e paditur i ka parashtruar Dhomës së Madhe disa letra të Prokurorisë së Përgjithshme të shkurtit 2008 (lidhur me ekzistencën e gjykatës së partizanëve, me rolin e Mazie Batit dhe të banorëve të tij në mbrojtjen gjermane dhe me arsyet e shpërndarjes së armëve për fshatarët), të cilat ajo i kishte paraqitur tashmë përpara dhomës.
152. Me vërejtje të hollësishme në mbështetje të mendimit të saj, Qeveria e paditur mbron idenë se Gjykata duhet të marrë parasysh kontekstin e përgjithshëm historik e politik të ngjarjeve që kanë ndodhur para dhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe, sidomos, faktin që pushtimi sovjetik i Letonisë më 1940 ishte i paligjshëm dhe që ai ka vazhduar deri në rivendosjen e pavarësisë së vendit në fillimin e viteve 1990, ndonëse i ndërprerë nga pushtimi gjerman nga viti 1941 deri më 1944, edhe ky po aq i paligjshëm. Gjatë pushtimit sovjetik, Letonia nuk paska mundur t’i ushtrojë pushtetet e saj sovrane dhe qenka gjendur kështu në pazotësi për të përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare. Pavarësisht nga frika që paska pasur popullsia vendase përballë partizanëve të kuq, paditësi e shtrembëruaka realitetin duke thënë se ngjarjet e ndodhura më 27 maj 1944 në Mazie Bati duhet të analizohen si një incident lufte civile që nuk kishte të bënte me konfliktin e armatosur ndërkombëtar i cili i vinte fuqitë e Boshtit ballë për ballë veçanërisht me BRSS-në.
153. Duke e pranuar se Gjykata është plotësisht kompetente për t’i zbatuar parimet përkatëse të së drejtës ndërkombëtare, Qeveria e paditur e kundërshton atë zbatim të së drejtës ndërkombëtare që ka bërë dhoma. Kjo e fundit i paska shpërfillur ose zbatuar keq disa burime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare e disa parime që rrjedhin prej tyre, sidomos kriteret që lejojnë përkufizimin e civilëve dhe kërkesën për një trajtim njerëzor të tyre, parimin e ruajtjes të së drejtës për mbrojtje humanitare ndërkombëtare ne rast humbje të statusit si civil, caqet që u vihen nevojave ushtarake dhe ndalimin e veprimeve të pabesisë. Duke iu referuar gjerësisht konventave dhe deklaratave të asaj kohe, si edhe Statutit dhe Vendimit të Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, Qeveria e paditur mbron idenë se paditësi ishte haptazi fajtor për krime lufte në atë kuptim që interpretohej ky nocion më 1944.
154. Duke pranuar që parimi i dallimit nuk ishte vendosur ende plotësisht më 1944, ajo thotë se ishte e qartë që fshatarët e Mazie Batit ishin “civilë”: edhe kur disa persona ishin të armatosur, edhe kur ata i simpatizonin forcat pushtuese naziste, madje edhe kur ata i përkisnin një organizate për ruajtjen e rendit, ata ruanin sipas saj një status personash civilë. Gjithsesi, sado që fshatarët ta kishin humbur këtë status, sado që të ishte dashur që ata të konsideroheshin si “luftëtarë”, për Qeverinë asgjë nuk jepte të drejtë që persona jashtë luftimi të ekzekutoheshin në vend ose të vriteshin pa një proces të drejtë (për të cilin nuk paska asnjë provë në rastin e çështjes në fjalë), ku të kishte vërtetuar se të interesuarit ishin vërtet të përfshirë në kryerjen e një vepre penale. Për më tepër, veprimet në fjalë nuk paskan qenë veprime të lejuara “reprezaljesh të ligjshme ndërluftuesish”, meqenëse, ndër të tjera, veprime të tilla ishin të ndaluara ndaj robërve të luftës që prej miratimit të Konventës së Gjenevës të vitit 1929 dhe, nga ana tjetër, askush nuk paska lënë asnjëherë të kuptohet që të jenë kryer krime lufte nga vetë fshatarët, të cilët u dashka të konsiderohen si civilë.
155. Qeveria shton se më 1944 (si edhe më vonë), veprimet e paditësit përbënin vepra penale sipas së drejtës së brendshme. Dispozitat e Kodit Penal të vitit 1926 (të miratuar më 1940 me një dekret të Këshillit Suprem të RSS të Letonisë, të mbetur në fuqi deri më 1991 e të rivendosur më 1993) i paskan ndëshkuar e dënuar shkeljet e rregullave dhe të zakoneve të luftës, dhe ato paskan qenë mjaftueshëm të qarta e të përdorshme. Dykuptimësia që paska ekzistuar nga shtatori 1991 deri në prill 1993 qenka pa rëndësi nga pikëpamja praktike, duke pasur parasysh detyrimin e heshtur ndërkombëtar për Letoninë që të ndiqte penalisht e të gjykonte autorët e shkeljeve të tilla mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare në fuqi në atë kohë.
156. Pak rëndësi paska që vetë paditësi të ketë qenë ose jo autori i veprimeve që janë objekt në këtë çështje, përderisa ai e paska marrë përsipër përgjegjësinë e komandimit.
157. Nga ana tjetër, dënimi i tij nuk rënka ndesh me kurrfarë parashkrimi, duke pasur parasysh, ndër të tjera, nenin 14 (dhe shënimet që e shoqërojnë atë) të Kodit Penal të vitit 1926, nenin 45 të Kodit Penal të vitit 1961 dhe nenin 1 të Konventës së vitit 1968, efekti prapaveprues i të cilit qenka pranuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
158. Duke pasur parasysh çka parashtrohet më lart, më 1944 paska qenë qartësisht dhe objektivisht e matshme që veprimet në fjalë ishin kriminale dhe nuk qenka me vend që të vërtetohet se paditësi ishte në dijeni të çdo elementi për cilësimin e tyre të saktë juridik. Madje, versioni i ndryshëm i ngjarjeve i dhënë nga i interesuari (konkretisht se ai kishte kërkuar t’i arrestonte fshatarët pas dënimit të tyre nga një gjykatë e përbërë prej partizanësh) qenka domethënës, sepse treguaka se ai ishte efektivisht i vetëdijshëm në atë kohë për karakterin kriminal të sjelljes që është objekt i kësaj çështjeje (ngaqë fshatarët janë vrarë dhe jo arrestuar). Edhe dënimi i paditësit paska qenë i parashikueshëm, duke pasur parasysh sidomos deklaratat e formuluara nga disa shtete gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ndjekjet penale të bëra në nivel ndërkombëtar e kombëtar gjatë luftës e menjëherë pas saj, proces në të cilin autoritetet sovjetike paskan marrë pjesë në mënyrë aktive. Fakti që paditësi të jetë konsideruar si një hero sovjetik për shumë vite nuk qenka rëndësor, meqenëse elementi kyç qenka të dihet nëse ka gjasa të arsyeshme që më 1944 të mund të parashikohej se veprimet e kryera do të konsideroheshin si krime lufte dhe jo se situata politike që do të kishte pasur ai rastësisht më vonë do t’i kishte lejuar atij që t’u shmangej ndjekjeve penale. Të thuhet se kishte të tjerë që kryenin krime lufte, nuk qenkësh as kjo një mjet mbrojtjeje që mundëson shmangien nga çdolloj përgjegjësie penale individuale, veç në mos u mendoftë që ky përjashtim prej parimeve nga ana e shteteve të tjera është i mjaftueshëm për të vendosur një ndryshim në praktikën dhe në zakonin ndërkombëtar.
159. Si argument i dorës së dytë, Qeveria thotë se veprimet e paditësit përbënin vepra penale “sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës të pranuara nga kombet e qytetëruara”, në kuptimin e nenit 7 § 2 të Konventës. Edhe kjo dispozitë qenka hartuar gjithashtu për të hequr çdo dyshim lidhur me vlefshmërinë e ndjekjeve penale të ushtruara nga gjykatat ushtarake ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, meqenëse praktika e mëvonshme ndërkombëtare e kombëtare e ka pohuar vlefshmërinë e përbotshme të gjykatave ushtarake ndërkombëtare dhe të parimeve të tyre, roli i nenit 7 § 2 qenka tani i pavlefshëm. Sido që të jenë këto “parime të përgjithshme, qoftë burim parësor, qoftë burim dytësor i së drejtës ndërkombëtare, ato qenkan nxjerrë nga sistemet kombëtare për të mbushur boshllëqet e së drejtës ndërkombëtare pozitive dhe zakonore. Në mungesë të një konsensusi lidhur me faktin se sa shterues është shqyrtimi i sistemeve kombëtare për të shpënë në ekzistencën e parimeve të tilla, Qeveria e paditur i ka kaluar në revistë rendet juridike që, më 1944, ishin shprehur tashmë lidhur me çështjen e krimeve të luftës, si edhe Kodin Penal leton dhe atë sovjetik. Duke vënë re se juridiksionet kombëtare që kishin dalë në përfundime se kishte shkelje të ligjeve dhe të zakoneve të luftës ishin frymëzuar nga parimet e vendosura të së drejtës ndërkombëtare, ajo mbron idenë se veprimet e kryera nga paditësi ishin kriminale sipas parimeve të përgjithshme të njohura të së drejtës, kështu që juridiksionet kombëtare kompetente lidhur me këtë çështje e kishin sipas saj të drejtën që t’i zbatonin ato parime.
2. Paditësi
160. Paditësi bashkohet me arsyetimin dhe me konkluzionet e dhomës, duke mbrojtur mendimin se nuk ka qenë fajtor për asnjë shkelje sipas të drejtës kombëtare, të drejtës ndërkombëtare ose parimeve të përgjithshme të së drejtës të pranuara nga kombet e qytetëruara.
161. Ai e hedh poshtë argumentin e Qeverisë së paditur se dhoma e ka tejkaluar kompetencën e saj dhe i ka keqinterpretuar disa fakte. Në të vërtetë, qenka vetë Qeveria ajo që i paska paraqitur faktet përpara Dhomës së Madhe në mënyrë të pasaktë e të shtrembëruar dhe jo siç i kishte përcaktuar ato dhoma.
162. Ai e përsërit përpara Dhomës së Madhe versionin e tij lidhur me rrethanat në të cilat ka ndodhur vdekja, në shkurt 1944, e pjesëtarëve të grupit të partizanëve të komandantit Çugonov. Ky i fundit, i strehuar në ahurin e Meikuls Krupniksit, i qenkësh dorëzuar me dredhi Wehrmacht-it nga fshatarët e vdekur gjatë operacionit të mëvonshëm: fshatarët qenkëshin hequr sikur po i mbronin ata, por paskëshin njoftuar për praninë e tyre forcat e armatosura gjermane që ndodheshin në ato rrethina. Të nesërmen, ushtarët gjermanë paskëshin mbërritur dhe, pasi kanë mbledhur informata më të plota nga tri gra në fshat, i paskëshin vrarë të gjithë pjesëtarët e grupit të Çugonovit. Disa gra, ndër të cilat e ëma e Meikuls Krupniksit, u paskëshin hequr kufomave veshjet. Fshatarët në fjalë paskëshin marrë si shpërblim nga administrata ushtarake gjermane dru për ngrohje, sheqer, alkool dhe të holla. Emrat e atyre që e kishin denoncuar grupin e komandantit Çugunov i paskësh nxjerrë më vonë një fshatar i kapur nga disa partizanë të tjerë.
Paditësi e përsërit se ka vepruar në bazë të vendimit të një gjykate ad hoc partizanësh, ekzistenca e së cilës qenka e dëshmuar. Kjo gjykatë paskësh kryer hetime, i paskësh identifikuar fshatarët e Mazie Batit që mendohej se e kishin tradhtuar grupin e komandantit Çugunov dhe i paskësh dënuar ata me vdekje. Njësiti i paditësit paskësh qenë ngarkuar për t’i sjellë personat e dënuar përpara asaj gjykate. I interesuari shpjegon përpara Dhomës së Madhe se, për arsye të kushteve të luftimit që mbizotëronin në atë kohë, njësiti i tij nuk kishte qenë në gjendje as t’i arrestonte fshatarët e t’i mbante ata të burgosur (ata do të kishin përbërë një pengesë e një rrezik vdekjeprurës për partizanët), as t’i shpinte ata përpara gjykatës së partizanëve.
163. Paditësi çmon se të drejtat e tij të mbrojtura nga neni 7 § 1 nuk janë marrë parasysh. Garancitë e përcaktuara nga kjo dispozitë paskan një rëndësi kryesore dhe ato u dashka të interpretohen e të zbatohen në mënyrë që të sigurojnë një mbrojtje efektive kundër ndjekjeve penale dhe proceseve arbitrare. Neni 7 § 2 nuk u dashka marrë parasysh, meqenëse veprat penale të pretenduara nuk paskan të bëjnë me këtë dispozitë.
164. Për sa i përket përkufizimit të nocionit krim lufte, paditësi mbështetet në thelb te Konventa e te Rregullorja e Hagës e vitit 1907, si edhe te Statuti e vendimi i GjUN-së së Nurembergut; ai i mënjanon Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Protokollin Shtesë të vitit 1977 me arsyetimin se këto tekste janë më të vonshme sesa ngjarjet. Përderisa me krim lufte u kuptuaka një krim i kryer kundër popullsisë civile nga një pushtues në territor të pushtuar, veprimet që janë objekt në këtë çështje, për arsyet e parashtruara këtu më poshtë, nuk mund t’u paraqitkan si krime të tilla në vështrim të së drejtës ndërkombëtare ose të parimeve të përgjithshme të së drejtës të pranuara nga kombet e qytetëruara.
165. Së pari, fshatarët në fjalë nuk paskëshin qenë civilë. Letrat e Prokurorisë së Përgjithshme të shkurtit 2008 qenkan të pasakta, të papërshtatshme e jokorrekte sepse lënkan të kuptohet që i takon atij, të akuzuarit, që t’i mbështesë mjetet e tij mbrojtëse, ndërkohë që paska qenë më fort detyrë e prokurorisë që të provonte akuzat. Paditësi i ka parashtruar megjithatë Dhomës së Madhe dokumente të reja (që u takojnë viteve 1940 e janë nxjerrë nga arkivat e shtetit leton) të cilat mund të përcaktojnë sipas tij një numër gjërash: Mazie Bati dalka në planin e pikave gjermane të mbrojtjes; meqë administrata naziste ua kishte ndaluar “civilëve” të mbanin armë dhe meqë gjermanët u kishin dhënë armë fshatarëve të Mazie Batit, u shikuaka hapur që fshati kishte marrë pjesë në operacionet ushtarake dhe kishte qenë një qendër e mbrojtjes gjermane; fshatarët e vdekur (veçanërisht pjesëtarët e familjeve të Bernards Šķirmantsit, Ambrozs Bulsit et Meikuls Krupniksit) paskëshin qenë aizsargi, dhe aizsargi-t paskëshin marrë pjesë rregullisht në vrasjet e çifutëve dhe të partizanëve në Letoni. Përveç kësaj, Bernards Škirmantsi e Meikuls Krupniksi paskëshin qenë edhe Schutzmänner.
Me pak fjalë, fshatarët paskëshin qenë ose aizsargi, ose Schutzmänner. Ata qenkëshin armatosur pra nga administrata ushtarake gjermane dhe paskëshin qenë në shërbim aktiv për llogari të saj: duke dorëzuar grupin e komandantit Çugunov, ata paskëshin kryer jo një veprim mbrojtjeje legjitime, por një veprim kolaboracionistësh. Meqenëse paskësh qenë e pamundur që këta fshatarë të konsideroheshin si pjesë e popullsisë civile, ata qenkëshin bërë një objektiv ushtarak legjitim. E përbërë nga luftëtarë, skuadra e paditësit paskësh pasur të drejtën që t’i ndëshkonte.
166. Së dyti, paditësi mbron idenë se, që nga viti 1940, Letonia ishte ligjërisht një republikë e BRSS-së dhe të pretendohet e kundërta do të thotë të shkohet kundër të vërtetës historike dhe gjykimit të shëndoshë. Deklarata e 4 majit 1990 dhe dënimi i tij paskan pasur si qëllim që ta stigmatizojnë si të paligjshëm aneksimin e Letonisë më 1940 dhe nuk paskan qenë të motivuar nga shqetësimi i Letonisë që të respektonte detyrimet e saj ndërkombëtare për të ndjekur penalisht kriminelët e luftës. Më 27 maj 1944, paditësi paskësh qenë një luftëtar që mbronte territorin e shtetit të tij kundër Gjermanisë dhe kundër atyre qytetarëve sovjetikë që sipas tij bashkëpunonin në mënyrë aktive me Gjermaninë (ai mbështetet për këtë te vendimi i Gjykatës së Qarkut të Latgales). Duke mos qenë mundur të konsiderohet që BRSS-ja ishte në atë kohë një fuqi pushtuese, qenka e pamundur që të shihet tek ai autori i një krimi lufte. Nga pikëpamja historike, qenka e pasaktë të barazohet përfshirja e ligjshme e Letonisë në BRSS më 1940 me pushtimin gjerman të vitit 1941, ashtu siç vepruakan qeveritë letone dhe lituane. Më 1944, letonët paskëshin pasur dy rrugë: ose të ishin antigjermanë, ose të ishin antisovjetikë. Sa për veten e tij, paditësi paskësh zgjedhur të luftonte përkrah BRSS-së kundër forcave naziste për të çliruar Letoninë, kurse fshatarët paskëshin luftuar së bashku me nazistët kundër tyre.
167. Së treti, Kodi Penal i vitit 1926 nuk paska pasur ndonjë kapitull lidhur me krimet e luftës dhe qenka gabim që Qeveria e paditur bën fjalë për “vepra penale ushtarake” të përkufizuara në kapitullin IX të këtij kodi, sepse akuzat në fjalë paskan të bëjnë me veprime që cenojnë rendin e vendosur të shërbimit ushtarak dhe u dashka të dallohen nga “krimet e luftës”. Paditësi shton se, në të vërtetë, Kodi Penal i vitit 1926 parashikonte se moszbatimi i një urdhri sillte përgjegjësinë penale të personit të pabindur (neni 193-3).
168. Paditësi mbron përveç kësaj edhe idenë se ai thjesht nuk mund ta parashikonte se do të ndiqej penalisht për krime lufte. Procesi i tij do të ishte pa precedent: ishte hera e parë, sipas tij, që një ushtar i cili kishte luftuar kundër fuqive të Boshtit akuzohej kaq vite (pothuajse pesëdhjetë) më vonë. Ai paska qenë vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç kur, në kontekstin e marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare dhe të konflikteve të armatosura për të cilat nuk paska pasur asnjë përgjegjësi, kishte luftuar si pjesëtar i koalicionit antihitlerian. Ai pohon se më 27 maj 1944 ai kishte menduar (për këtë, ai i referohet vendimit të Gjykatës së Qarkut të Latgales) se po e mbronte Letoninë si pjesë përbërëse e BRSS-së dhe nuk do të kishte mundur kurrë të hamendësonte që disa dhjetëvjeçarë më vonë Letonia do të konsideronte se kishte qenë e pushtuar në mënyrë të paligjshme nga BRSS-ja dhe që veprimet e tij do të quheshin si kriminale. Ai e miraton konkluzionin e dhomës se për të ishte e pamundur ta parashikonte se do të dënohej sipas së drejtës së brendshme.
169. Së fundi, paditësi çmon se Dhoma e Madhe duhet t’i rishqyrtojë ankesat e formuluara sipas neneve 3, 5, 6, 13, 15 e 18, të cilat dhoma i ka shpallur të papranueshme në vendimin e saj të 20 shtatorit 2007.
3. Qeveritë që kanë ndërhyrë
a) Qeveria e Federatës së Rusisë
170. Qeveria e Federatës së Rusisë bashkohet me arsyetimin dhe me konkluzionin e dhomës.
171. Sipas saj, çështja duhet të shqyrtohet sipas këndvështrimit të paragrafit të parë të nenit 7 dhe nuk është me vend që ajo të shihet në lidhje me paragrafin e dytë të këtij neni. Një person nuk qenka e mundur të ngarkohet me përgjegjësi penale mbi bazën e “parimeve të përgjithshme” që synon neni 7 § 2, veçse në rrethanat krejtësisht të jashtëzakonshme që ka pasur periudha menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Këto parime mund të paraqitkan njëfarë dobishmërie si burim normash të së drejtës penale ndërkombëtare, por përshtatshmëria e tyre qenka pakësuar me zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare përmes konventave. Në të vërtetë, ekzistenca e një korpusi të drejte ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë penale të individëve qenka diçka relativisht e re dhe vetëm në vitet 1990 qenka zhvilluar një regjim i së drejtës penale ndërkombëtare, me krijimin e gjykatave penale ndërkombëtare.
172. Qeveria e Federatës së Rusisë çmon se veprimet për të cilat fajësohet paditësi nuk përbënin një vepër penale sipas së drejtës kombëtare ose ndërkombëtare më 1944 dhe se i interesuari është dënuar pra në shkelje të nenit 7 § 1. Juridiksionet kombëtare paskan bërë në të vërtetë një numër gabimesh.
173. Së pari, ato paskan zbatuar për këtë çështje normat e gabuara juridike. Më 1944 nuk paskan qenë në fuqi as Kodi Penal i vitit 1961, as dispozitat e futura më 1993, madje as në vështrim të Kodit të ri Penal të miratuar më 1998, më 2000 e më 2004. Neni 14 i Kodit Penal të vitit 1926, i miratuar nga Letonia pasi ajo u bë një republikë e BRSS-së, paskësh caktuar një afat parashkrimi prej dhjetë vjetësh dhe nuk paskësh përmbajtur asnjë dispozitë lidhur me krimet e luftës.
174. Së dyti, edhe sikur të supozohej se Konventa dhe Rregullorja e Hagës, të vitit 1907, ishin pjesë e së drejtës ndërkombëtare zakonore më 1944, aty qenka e pamundur të shihet ndonjë bazë e vlefshme për ndjekjet penale të drejtuara kundër paditësit. Përgjegjësia individuale qenkësh përkufizuar vetëm nga Statuti i GjUN-së së Nurembergut, por, edhe atëherë, ajo paskësh qenë e zbatueshme vetëm kundër kriminelëve të luftës të Boshtit.
Sado që t’u konsideruaka Statuti i GjUN-së si fryt i një procesi kodifikimi, paditësi nuk qenka fajtor për krime lufte. Në të vërtetë, ky instrument paska qenë i zbatueshëm vetëm në suazën e konfliktit të armatosur ndërmjet Gjermanisë dhe BRSS-së dhe jo lidhur me veprimet midis bashkatdhetarësh. Mirëpo, më 1944, Letonia paska qenë de jure pjesë e BRSS-së dhe fshatarët (ndonëse de facto nën urdhrat e Gjermanisë) paskan qenë de jure qytetarë sovjetikë. Për rrjedhojë, si paditësi ashtu edhe fshatarët paskan qenë shtetas sovjetikë. Në kundërshtim me qeveritë letone dhe lituane, Qeveria e Federatës së Rusisë çmon se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk është kompetente për të rivlerësuar faktet historike dhe, veçanërisht, përfshirjen e Letonisë në BRSS më 1940. Ajo u referohet “instrumenteve detyruese të së drejtës ndërkombëtare në këtë fushë” (ku qenkësh njohur sovraniteti i BRSS-së mbi tërë territoret e veta) dhe konferencave pas Luftës së Dytë Botërore (ku rendi që pasoi Luftën e Dytë Botërore qenkësh vendosur në marrëveshje me Shtetet e Bashkuara dhe me Mbretërinë e Bashkuar). Duke pasur parasysh kriteret e zbatuara në të drejtën ndërkombëtare për të përkufizuar nocionin e “pushtimit”, qenka e pamundur të mendohet që më 1944 BRSS-ja ishte një fuqi pushtuese në Letoni.
Qeveria e Federatës së Rusisë është e mendimit se paditësi dhe fshatarët e vdekur ishin luftëtarë dhe se Statuti i GjUN-së së Nurembergut nuk nënkupton pra që veprimet të cilat janë objekt i kësaj çështjeje të përbënin krime lufte. Ajo i kundërshton argumentet e Qeverisë së paditur dhe të Qeverisë lituane lidhur me statusin juridik të fshatarëve. Duke pasur parasysh parimin e dallimit dhe kriteret e përkufizimit të nocionit të luftëtarit (të përshkruara sidomos në nenin 1 të Rregullores së Hagës të vitit 1907), paditësi paskësh qenë një luftëtar i stërvitur, i armatosur dhe që vepronte në zbatim të një vendimi të dhënë në emër të administratës ushtarake sovjetike nga një gjykatë ad hoc partizanësh. Fshatarët paskëshin qenë pjesëtarë të armatosur të një formacioni të parregullt që bashkëpunonte në mënyrë aktive me administratën ushtarake gjermane. Si bashkëpunëtorë vullnetarë, ata paskëshin marrë pjesë në mënyrë aktive në luftime dhe i paskëshin plotësuar pra të gjitha kriteret për t’u cilësuar si luftëtarë (më së paku si luftëtarë armiq të parregullt) dhe paskëshin përbërë kështu objektiva ushtarakë legjitimë. Së fundi, asnjë nga instrumentet ndërkombëtare të mëvonshme (Konventa e Gjenevës e vitit 1949 dhe Protokolli Shtesë i vitit 1977) nuk u marrkan parasysh, duke mos pasur mundësi që të zbatohen në mënyrë prapavepruese.
175. Së treti, parimi i përgjithshëm i paparashkrueshmërisë së krimeve të luftës nuk qenka i vlefshëm për veprimet e kryera nga paditësi më 1944, meqenëse krimet e luftës qenkan bërë krime “ndërkombëtare” vetëm me krijimin e GjUN-ve pas Luftës së Dytë Botërore. Ai u zbatuaka pra vetëm për veprimet e kryera më pas (me përjashtim të rasteve të kriminelëve të luftës të fuqive të Boshtit). Për sa i përket Konventës së vitit 1968, ajo nuk qenka e zbatueshme sepse qenka me vend që të konsiderohet, siç është treguar më lart, se paditësi kishte vepruar kundër disa qytetarëve të tjerë sovjetikë dhe se për këtë arsye veprimet e tij nuk mund të përbënin krime lufte.
176. Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, paditësi nuk paskësh mundur pra të parashikonte se do të ndiqej penalisht për krime lufte për shkak të veprimeve të kryera më 27 maj 1944. Për më tepër, si qytetar i Bashkimit Sovjetik, ai nuk paskësh mundur ta parashikonte që dyzet vjet më vonë, ndonëse duke banuar në të njëjtin territor, ai do të gjendej se banonte në një shtet tjetër (në Letoni), i cili do t’i kthente në vepra penale disa veprime për të cilat ai nuk do të kishte qenë penalisht përgjegjës më 1944.
177. Së fundi, Qeveria e Federatës së Rusisë i kundërshton, ndër të tjera, elementet faktike të ngritura nga Qeveria letone përpara Dhomës së Madhe. Paska pak rëndësi nëse dhoma e ka tejkaluar ose jo kompetencën e saj (lidhur me vlerësimin e fakteve dhe interpretimin juridik). Qeveria e Federatës së Rusisë çmon se, në qoftë se Dhoma e Madhe bazohet te faktet e vërtetuara nga juridiksionet kombëtare dhe bën një lexim, dhe jo një interpretim, të normave kombëtare e ndërkombëtare që lidhen me çështjen, ajo mund të dalë në një konkluzion të njëjtë me atë të dhomës. Sipas saj, cilësimin juridik të veprimeve të paditësit nuk mund ta ndryshojnë vendime dhe interesa politike.
b) Qeveria lituane
178. Qeveria lituane prek dy çështje.
179. E para ka të bëjë me statusin juridik të shteteve balte gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me disa pika të tjera të së drejtës ndërkombëtare që lidhen me të. Në kundërshtim me atë çka thuhet në paragrafin 118 të vendimit të dhomës, Qeveria lituane ka mendimin se është me vend që ky aspekt të merret parasysh, sidomos për të përcaktuar se cili ishte statusi juridik i ndërluftuesve të pranishëm në shtetet balte në kohën për të cilën bëhet fjalë. Në të vërtetë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e paska pranuar tashmë që tre shtetet balte e kishin humbur pavarësinë e tyre si pasojë e Paktit Molotov-Ribbentrop (Traktati për mossulmim i vitit 1939 dhe Protokolli i tij i fshehtë dhe, së fundi, Protokolli i Tretë i fshehtë gjermano-sovjetik i 10 janarit 1941): ky Pakt paska përbërë një fakt historik të pamohuar, një marrëveshje të paligjshme të lidhur me synimin e agresionit, ndër të tjera, ndaj shteteve balte, dhe paska çuar në pushtimin e paligjshëm të këtyre shteteve nga forcat sovjetike. Faktikisht, pushtimi sovjetik i shteteve balte në qershor 1940 paska qenë një akt agresioni në kuptimin e Konventës së Londrës të vitit 1933 lidhur me përkufizimin e agresionit dhe të Konventës dypalëshe të vitit 1933 midis Lituanisë dhe BRSS-së lidhur me përkufizimin e agresionit. Pranimi i pavullnetshëm i shteteve balte përballë agresionit sovjetik nuk e paskësh bërë të ligjshëm këtë akt agresioni.
Vetë Bashkimi Sovjetik e paskësh konsideruar disa vite më parë Anschluss-in si krim ndërkombëtar. Për më tepër, më 1989 ai e paska pranuar (Rezoluta për vlerësimin politik e juridik të Traktatit gjermano-sovjetik për mossulmimin të vitit 1939) paligjshmërinë e agresionit të vet kundër shteteve balte. Pra, paska dy konkluzione të pashmangshme: BRSS-ja nuk paskësh fituar asnjë të drejtë sovrane mbi shtetet balte, kështu që këta nuk paskan qenë kurrë ligjërisht pjesë e BRSS-së në vështrim të së drejtës ndërkombëtare dhe, për më tepër, shtetet balte paskëshin vazhduar të ekzistonin si subjekte të së drejtës ndërkombëtare pas agresionit të vitit 1940 nga ana e BRSS-së, i cili paska çuar në pushtimin e paligjshëm të vendeve balte.
Qeveria lituane është e mendimit se, në qoftë se zbatohet kjo çka paraprin lidhur me faktet e çështjes në fjalë, shtetet balte kanë pësuar agresion si nga BRSS-ja ashtu edhe nga Gjermania naziste: vendimi i GjUN-së së Nurembergut e paska përkufizuar agresionin në një mënyrë të tillë që të dy agresorët u dashkan trajtuar njëlloj. Qytetarët baltë nuk paskan pasur asnjë arsye për të ndier ndonjë simpati të veçantë për njërin apo për tjetrin nga pushtuesit dhe ata paskan pasur në të vërtetë një frikë të arsyeshme përballë secilit nga të dy agresorët (lidhur me këtë, Qeveria lituane e kundërshton pikëpamjen e shprehur në paragrafin 130 të vendimit të dhomës, meqenëse krimet e kryera nga Bashkimi Sovjetik në shtetet balte përbënin sipas saj një fakt historik të vërtetuar qartësisht), kështu që njëfarë shkalle bashkëpunimi me armikun në një frymë vetëmbrojtjeje të ligjshme nuk u dashka trajtuar ndryshe nga një agresor te tjetri. Qytetarët e shteteve balte, të cilët e paskëshin ruajtur kombësinë e tyre balte sipas së drejtës ndërkombëtare, nuk mund t’u konsideruakan sikur kanë qenë qytetarë sovjetikë; ata paskëshin qenë më fort banorë të një shteti të pushtuar, të shtyrë nga shqetësimi për të gjetur mbrojtjen e nevojshme nga dy forcat ndërluftuese të pushtimit.
180. Çështja e dytë paska të bëjë me cilësimin, në të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe penale, të veprimeve ndëshkimore të kryera nga forcat sovjetike kundër popullsisë vendase të shteteve balte dhe, në veçanti, me pikën nëse këto popullsi mund të paraqiteshin ose jo si « luftëtare ».
Për këtë, përveç Konventës dhe Rregullores së Hagës të vitit 1907, qenka me vend që të merren parasysh një numër instrumentesh dhe veçanërisht Konventa e Katërt e Gjenevës e vitit 1949 dhe Protokolli Shtesë i vitit 1977. Ekzistenca e një dallimi themelor ndërmjet forcave të armatosura (ndërluftuesve), në njërën anë, dhe popullsisë paqësore (civilëve), në anën tjetër, dhe imuniteti i kësaj të fundit ndaj sulmeve ushtarake (Qeveria lituane i referohet në këtë drejtim klauzolës së Martensit, paragrafët 86-87 të mësipërm) paskan përbërë parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare humanitare, ashtu siç ekzistonte ajo më 1944. Qeveria lituane çmon se fshatarët në fjalë nuk u përgjigjeshin kritereve që përkufizonin luftëtarët dhe se ata nuk ishin pra një objektiv ushtarak legjitim. Edhe sikur të hamendësohet që ata të kishin bashkëpunuar në njëfarë mase me forcat gjermane, ata qenkësh dashur prapëseprapë të vazhdonin, sipas saj, ta gëzonin po aq mbrojtjen që u jepej civilëve, përderisa nuk mund të paraqiteshin si luftëtarë. Të gjykohet ndryshe qenka njëlloj sikur t’u lihen popullsitë civile në mëshirë të komandantëve të forcave ndërluftuese, të cilët mund të vendoskan arbitrarisht që personat në fjalë janë luftëtarë dhe përbëjnë kështu objektiva ushtarakë legjitimë. Për sa i përket vrasjes së grave, në mungesë të një pjesëmarrjeje nga ana e tyre në luftime si luftëtare, ajo paska qenë absolutisht e papërligjur sepse qenka në kundërshtim me konsideratat më elementare të njerëzisë, me ligjet e njerëzisë dhe me kërkesat e vetëdijes publike. Lidhur me këtë, Qeveria lituane kundërshton veçanërisht pikëpamjen e shprehur nga dhoma në paragrafët 141 dhe 142 të vendimit të saj.
181. Qeveria lituane është pra e mendimit se veprimet ndëshkimore të kryera nga forcat sovjetike kundër popullsive vendase të shteteve të pushtuara balte përbëjnë krime lufte si në vështrim të së drejtës ndërkombëtare pozitive dhe zakonore, ashtu edhe në atë të parimeve të përgjithshme të së drejtës të pranuara nga kombet e qytetëruara. Sipas saj, ndjekjet penale të zhvilluara kundër autorëve të këtyre veprimeve nuk e kanë shkelur nenin 7 të Konventës.
C. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
1. Kërkesa e paditësit për rishqyrtimin e ankesave të shpallura si të papranueshme nga dhoma
182. Në vendimin e saj të 20 shtatorit 2007, dhoma ka shpallur të pranueshme ankesën e nxjerrë nga neni 7 i Konventës dhe të papranueshme ankesat e formuluara duke iu referuar neneve 3, 5 (të bashkuar me nenin 18), 6 § 1, 13 dhe 15. Paditësi mbron mendimin se Dhoma e Madhe duhet t’i rishqyrtojë ankesat e shpallura të papranueshme.
183. Dhoma e Madhe vëren se vendimi i dhomës që i shpall ankesat e lartpërmendura të papranueshme është i formës së prerë: kjo pjesë e kërkesëpadisë nuk shtrohet pra përpara saj (K. dhe T. k. Finlandës [DhM], nr. 25702/94, § 141, GjEDNj 2001‑VII, dhe Šilih k. Sllovenisë [DhM], nr. 71463/01, §§ 119-121, 9 prill 2009).
184. Për këtë arsye, Dhoma e Madhe do të shqyrtojë atë pjesë të kërkesëpadisë që është pranuar nga dhoma, domethënë ankesën e mbështetur te neni 7 i Konventës.
2. Parimet e përgjithshme që dalin nga Konventa
185. Garancia që sanksionon neni 7, element thelbësor i mbisundimit të së drejtës, zë një vend parësor në sistemin mbrojtës të Konventës, siç e dëshmon fakti që neni 15 nuk lejon aty asnjë përjashtim në rast lufte apo rreziku tjetër publik. Ashtu siç rrjedh nga objekti dhe qëllimi i tij, ai duhet të interpretohet dhe të zbatohet në mënyrë që të sigurojë një mbrojtje efektive kundër ndjekjeve penale, dënimeve dhe sanksioneve arbitrare. Neni 7 nuk kufizohet pra me ndalimin e zbatimit prapaveprues të së drejtës penale në dëm të të akuzuarit: në një mënyrë më të përgjithshme, ai sanksionon gjithashtu parimin e ligjshmërisë së veprave penale dhe të dënimeve (nullum crimen, nulla poena sine lege) dhe atë që urdhëron të mos zbatohet ligji penal në mënyrë të zgjeruar në dëm të të akuzuarit, sidomos për analogji. Nga kjo del si përfundim se një vepër penale duhet të jetë e përkufizuar qartësisht nga ligji. Ky kusht përmbushet atëherë kur edhe individit i jepet mundësia që, ose duke u nisur nga formulimi i dispozitës përkatëse, ose, në rast nevoje, me ndihmën e interpretimit të saj prej gjykatave, ta dijë se cilat veprime e mosveprime e bëjnë atë përgjegjës penalisht.
Nocioni i së drejtës (fr. “droit”, angl. “law”) i përdorur në nenin 7, përkon me atë të “ligjit” që paraqitet në nene të tjera të Konventës e që përfshin të drejtën e shkruar e jo të shkruar, si edhe nënkupton disa kushte cilësore, mes të tjerash ato të kuptueshmërisë dhe të parashikueshmërisë. Për sa i përket parashikueshmërisë, Gjykata rikujton se, sado i qartë që të jetë formulimi i një dispozite ligjore, në cilindo sistem juridik, duke përfshirë edhe të drejtën penale, ekziston patjetër një element interpretimi gjyqësor. Do të duhet përherë të bëhet sqarim i pikave të dyshimta dhe përshtatje ndaj ndryshimeve të situatës. Madje, në traditën juridike të disa shteteve palë në Konventë është ngulitur tashmë fuqimisht se jurisprudenca, si burim i së drejtës, jep medoemos ndihmesë në zhvillimin shkallë-shkallë të së drejtës penale. Neni 7 i Konventës nuk mund të interpretohet sikur e ndalon sqarimin shkallë-shkallë të rregullave të përgjegjësisë penale përmes interpretimit gjyqësor nga një çështje te tjetra, me kusht që rezultati të jetë koherent me thelbin e veprës penale dhe i parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme (Streletz, Kessler dhe Krenz k. Gjermanisë [DhM], nr. 34044/96, 35532/97 e 44801/98, § 50, GjEDNj 2001‑II, K.-H.W. k. Gjermanisë [DhM], nr. 37201/97, § 85, GjEDNj 2001‑II, Jorgic k. Gjermanisë, nr. 74613/01, §§ 101-109, GjEDNj 2007‑IX, dhe Korbely k. Hungarisë [DhM], nr. 9174/02, §§ 69-71, 19 shtator 2008).
186. Së fundi, të dy paragrafët e nenit 4 janë të lidhur dhe ata duhet të bëhen objekt i një interpretimi bashkëpërkues (Tess k. Letonisë (vendim pranueshmërie), nr. 34854/02, 12 dhjetor 2002). Duke pasur parasysh objektin e çështjes dhe faktin se përmenden ligjet dhe zakonet e luftës ashtu siç zbatoheshin ato përpara dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjykata e sheh me dobi që të rikujtojë se nga punimet përgatitore të Konventës del që paragrafi i dytë i nenit 7 ka për qëllim të saktësojë se ky nen nuk i prek ato ligje që u miratuan në rrethanat krejtësisht të jashtëzakonshme të fundit të Luftës së Dytë Botërore, për të ndëshkuar, ndër të tjera, krimet e luftës; kështu që ai nuk synon asnjë dënim juridik apo moral të këtyre ligjeve (X. k. Belgjikës, nr. 268/57, vendim i Komisionit i 20 korrikut 1957, Vjetari 1, f. 241). Sido që të jetë, Gjykata vë në dukje përveç kësaj se përkufizimi i krimeve të luftës që paraqitet në nenin 6 b) të Statutit të GjUN-së së Nurembergut shihej si shprehja e kodifikuar e ligjeve dhe e zakoneve ndërkombëtare të luftës ashtu siç interpretoheshin ato më 1939 (paragrafët 118 i mësipërm dhe 207 i mëposhtëm)
187. Gjykata do ta shqyrtojë çështjen fillimisht nën këndvështrimin e nenit 7 § 1 të Konventës. Kjo dispozitë nuk kërkon që ajo të shprehet rreth përgjegjësisë penale individuale të paditësit, vlerësim ky që u bie si detyrë në radhë të parë juridiksioneve të brendshme. Funksioni i saj në vështrimin e nenit 7 § 1 është në fakt i dyfishtë: asaj i duhet, së pari, të shqyrtojë nëse ekzistonte një bazë ligjore mjaftueshëm e qartë, duke pasur parasysh gjendjen e së drejtës më 27 maj 1944, për ta dënuar paditësin për krime lufte dhe, së dyti, të kërkojë nëse kjo akuzë ishte e përkufizuar tek e drejta me një kuptueshmëri e një parashikueshmëri të mjaftueshme në mënyrë që i interesuari të kishte mundësi ta dinte, më 27 maj 1944, se cilat veprime e mosveprime ishin të tilla që mund ta ngarkonin atë me përgjegjësi penale për ato arsye dhe të ndreqte rrjedhimisht sjelljen e tij (Streletz, Kessler dhe Krenz, § 51, K.-H. W., § 46; dhe Korbely, § 73, të cituar më lart).
3. Faktet që duhet të merren parasysh
188. Para se të merret me dy çështjet e lartpërmendura, Gjykata do të shqyrtojë mosmarrëveshjet lidhur me faktet që kanë mes tyre palët dhe të tretët që kanë ndërhyrë.
189. Ajo rikujton pikësëpari se, si parim, ajo nuk duhet t’u zërë vendin juridiksioneve të brendshme. Ajo ka për detyrë, sipas nenit 19 të Konventës, të sigurojë respektimin nga ana e shteteve kontraktuese të zotimeve që rrjedhin për ta nga Konventa. Duke pasur parasysh karakterin ndihmës të sistemit të Konventës, asaj nuk i takon të shqyrtojë gabime rreth fakteve ose rreth së drejtës që mund të pretendohet se janë kryer nga një juridiksion, veç në qoftë se dhe në atë masë që ato do të mund të kenë cenuar të drejtat dhe liritë e mbrojtura nga Konventa (shih, mutatis mutandis, Schenk k. Zvicrës, vendim i 12 korrikut 1988, § 45, seria A nr. 140, Streletz, Kessler dhe Krenz i cituar më lart, § 49; dhe Jorgic i cituar më lart, § 102) dhe nëse vlerësimi që kanë bërë juridiksionet kombëtare është haptazi arbitrar.
190. Dhoma ka dalë me një vendim të formës së prerë se procesi i paditësit kishte qenë në përputhje me kërkesat e nenit 6 § 1 të Konventës (paragrafët 182-184 të mësipërm). Lidhur me ankesën e formuluar mbështetur në nenin 7, Dhoma e Madhe, duke ndjekur shembullin e dhomës, nuk sheh asnjë arsye për ta kundërshtuar përshkrimin faktik të ngjarjeve të 27 majit 1944 që paraqitet në vendimet e brendshme për çështjen në fjalë, konkretisht në vendimin e Dhomës së Çështjeve Penale të 20 prillit 2004 dhe në vendimin që e ka lënë atë në fuqi, të dhënë nga Senati i Gjykatës së Lartë.
191. Faktet e përcaktuara nga juridiksionet e brendshme lidhur me ngjarjet e 27 majit 1944 janë përmbledhur më lart (paragrafët 15-20). Dhoma e Madhe do të nxjerrë prej tyre elementet kyçe të mëposhtme. Kur njësiti i paditësit hyri në Mazie Bati, fshatarët nuk ishin të përfshirë në luftime, por po përgatiteshin të kremtonin Rrëshajat, dhe të gjithë fshatarët e vrarë u gjetën nga partizanët në banesën e tyre (njëri në banjën e vet dhe një tjetër në krevatin e vet). Ndonëse në banesë fshatarëve të vrarë iu gjetën armë dhe municione të dhëna nga administrata ushtarake gjermane, asnjëri prej tyre nuk po i mbante ato ose armë të tjera në çastin e ngjarjeve. Dhoma (paragrafi 127 i vendimit të saj) e ka gjykuar këtë fakt të fundit si pa rëndësi, por, për arsyet e paraqitura këtu më pas, Dhoma e Madhe e çmon si domethënës. Nga ana tjetër, paditësi thotë përpara Dhomës së Madhe se asnjë fshatar nuk u dogj për së gjalli, por gjykatat e brendshme kanë përcaktuar se katër persona, ndër të cilët tri gra, kishin vdekur në zjarrin e ngrehinave të fermës. Së fundi, asnjë nga fshatarët e vrarë nuk ishte përpjekur të ikte, as nuk kishte bërë ndonjë farë qëndrese ndaj partizanëve. Para ekzekutimit të tyre, të gjithë ishin pra jo të armatosur, jo qëndresëtarë dhe nën kontrollin e njësitit të paditësit.
192. Gjykatat e brendshme i kanë hedhur poshtë disa pohime të paditësit lidhur me faktet. Ato e kanë gjykuar si të pavërtetuar që fshatarët e vdekur t’ia kishin dorëzuar grupin e komandantit Çugunov forcave gjermane, duke dalë më fort në përfundimin se grupin në fjalë e kishte denoncuar te gjermanët Meikuls Krupniksi për arsyen se prania e të interesuarve në ahurin e tij ia vinte familjen në rrezik. Arkivat nuk tregonin që viktimat ishin Schutzmänner (trupa ndihmëse të policisë gjermane); prej tyre dilte vetëm që Bernards Šķirmantsi me të shoqen bënin pjesë tek aizsargi (garda kombëtare letone). As gjykatat e brendshme nuk mundën ta përcaktojnë me saktësi se përse kishin marrë armë fshatarët nga administrata ushtarake gjermane (si shpërblim që kishin dorëzuar njësitin e komandantit Çugunov apo në cilësinë e Schutzmänner-ve, në cilësinë e aizsargi-t apo në ndonjë cilësi tjetër).
193. Si palët ashtu edhe Qeveria e Federatës së Rusisë i kanë vazhduar kundërshtitë përpara Gjykatës, ndërsa paditësi i ka parashtruar Dhomës së Madhe disa elemente të reja me prejardhje nga arkivat e shtetit leton. Dhoma e Madhe shënon se pikat e kundërshtive kanë të bëjnë shkallën e pjesëmarrjes së fshatarëve të vdekur në luftime (qoftë përmes denoncimit të njësitit të komandantit Çugunov tek administrata ushtarake gjermane, qoftë në cilësinë e Schutzmänner-ve, në cilësinë e aizsargi-t apo në ndonjë cilësi tjetër trupash ndihmëse) dhe, për pasojë, me statusin e tyre juridik dhe me të drejtën për t’u marrë në mbrojtje që mund të lidhet me të. Gjykatat e brendshme kanë çmuar se fshatarët ishin “civilë”, pikëpamje që e ka edhe Qeveria letone. Pasi ka shqyrtuar disa nga konkluzionet faktike të formuluara nga juridiksionet e brendshme, dhoma ka qenë e mendimit se burrat e fshatit ishin “bashkëpunëtorë”, por ka shtruar disa hipoteza të ndryshme lidhur me gratë. Paditësi, ashtu si edhe Qeveria e Federatës së Rusisë, i cilëson fshatarët si “luftëtarë”.
194. Duke pasur parasysh tezat e ndryshme që janë të pranishme, Dhoma e Madhe, nga ana e saj, do ta nisë analizën duke hamendësuar, çka është veçanërisht e favorshme për paditësin, se fshatarët e vdekur i takonin kategorisë së “civilëve që kishin marrë pjesë në luftime” (duke i përcjellë informata, siç është pretenduar, administratës gjermane, veprim ky që mund të cilësohet si “tradhti në luftë”[16]) ose që ata kishin statusin e “luftëtarëve” (për arsye të cilitdo prej roleve të pretenduara si forca ndihmëse).
195. Ajo është e mendimit se fshatarët nuk ishin pushkatarë të lirë, duke pasur parasysh natyrën e veprimtarive të tyre e cila kishte çuar në sulmin që është objekt i kësaj çështjeje, si edhe faktin se, në çastin e ngjarjeve, ata nuk merrnin pjesë në luftime[17]. Ajo shton se nocioni i mobilizimit masiv nuk gjen vend për t’u zbatuar në rastin e çështjes në fjalë, përderisa Mazie Bati ishte tashmë nën pushtimin gjerman në momentin e ngjarjeve për të cilat bëhet fjalë[18].
4. A ekzistonte më 1944 një bazë juridike mjaftueshëm e qartë lidhur me krimet për të cilat është dënuar paditësi?
196. Paditësi është dënuar mbi bazën e nenit 68-3 të Kodit Penal të vitit 1961, një dispozitë e futur nga Këshilli Suprem më 6 prill 1993. Ndonëse duke dhënë disa shembuj veprimesh që përbëjnë shkelje të ligjeve dhe të zakoneve të luftës, kjo dispozitë u referohej “konventave juridike përkatëse” për një përkufizim të saktë të krimeve të luftës (paragrafi 48 i mësipërm). Dënimi i paditësit për krime lufte ishte mbështetur pra në të drejtën ndërkombëtare dhe jo në të drejtën kombëtare dhe, sipas mendimit të Gjykatës, ai duhet të shqyrtohet kryesisht nën këtë këndvështrim.
197. Gjykata rikujton se interpretimi i legjislacionit të brendshëm u takon pikësëpari autoriteteve kombëtare, sidomos gjykatave. Roli i saj kufizohet pra me verifikimin se sa përputhen efektet e një interpretimi të tillë me Konventën (Waite dhe Kennedy k. Gjermanisë [DhM], nr. 26083/94, § 54, GjEDNj 1999-I, dhe Korbely i cituar më lart, § 72).
198. Megjithatë, Dhoma e Madhe është së bashku me dhomën e mendimit se Gjykata duhet të gëzojë një fuqi më të gjerë kontrolluese kur e drejta e mbrojtur nga një dispozitë e Konventës, në këtë rast neni 7, kërkon ekzistencën e një baze ligjore për dhënien e një dënimi ose mase ndëshkimore. Neni 7 § 1 kërkon nga Gjykata që ajo të verifikojë nëse dënimi i paditësit mbështetej në atë kohë në një bazë ligjore. Në veçanti, ajo duhet të sigurohet që rezultati në të cilin kanë dalë juridiksionet e brendshme kompetente (dënim për krime lufte sipas nenit 68-3 të Kodit të vjetër Penal) ka qenë në përputhje me nenin 7 të Konventës, duke pasur pak rëndësi në këtë vështrim fakti që ajo zgjedh një qasje dhe një arsyetim juridik të ndryshëm në krahasim me ata të shtjelluar nga juridiksionet e brendshme. Neni 7 do të bëhej pa objekt po qe se Gjykatës do t’i jepej një fuqi kontrolluese më pak e gjerë. Prandaj Dhoma e Madhe nuk do të shprehet lidhur me rrugët e ndryshme që janë ndjekur nga juridiksionet e brendshme më të ulëta, konkretisht me atë të ndjekur nga Gjykata e Qarkut e Latgales në vendimin e saj të tetorit 2003, tek i cili mbështetet fuqimisht paditësi, por që është shfuqizuar nga Dhoma e Çështjeve Penale. Asaj i duhet thjesht të përcaktojë nëse vendimi i dhënë nga Dhoma e Çështjeve Penale dhe i lënë në fuqi nga Senati i Gjykatës së Lartë ishte në përputhje me nenin 7 (Streletz, Kessler dhe Krenz i cituar më lart, §§ 65-76).
199. Me një fjalë, Gjykata duhet të hulumtojë nëse mbështetej dënimi i paditësit në një bazë mjaftueshëm të qartë, duke pasur parasysh gjendjen e së drejtës ndërkombëtare më 1944 (shih, mutatis mutandis, Korbely i cituar më lart, § 78).
a) Vlera e statusit juridik të paditësit dhe të fshatarëve
200. Sipas palëve, ashtu edhe sipas të tretëve që kanë ndërhyrë e sipas dhomës, paditësit mund t’i jepet statusi juridik i “luftëtarit”. Duke pasur parasysh angazhimin e tij ushtarak në BRSS dhe cilësinë e tij si komandant i njësitit të partizanëve të kuq që kishte hyrë në Mazie Bati (paragrafi 14 i mësipërm), ai ishte në parim një luftëtar, në vështrim të kritereve që e rregullonin këtë status në të drejtën ndërkombëtare e të cilat ishin kristalizuar përpara miratimit të Rregullores së Hagës[19], por që ishin kodifikuar nga kjo rregullore[20] dhe për të cilat nuk ka kundërshtim se bënin pjesë në të drejtën ndërkombëtare në fuqi më 1939[21].
201. Dhoma e Madhe vëren se në nivel kombëtar e aq më tepër përpara saj nuk është mohuar fakti që paditësi dhe njësiti i tij mbanin uniformën e Wehrmacht-it gjatë sulmit të kryer kundër fshatarëve, kështu që në rastin e tyre nuk përmbushej njëri nga kriteret e lartpërmendura. Nga kjo mund të rrjedhë që paditësi e kishte bjerrë statusin e tij si luftëtar[22] (e nga ky fakt edhe të drejtën për të sulmuar[23]).
Për më tepër, mbajtja e uniformës armike gjatë luftimit mund të përbënte në vetvete një vepër penale[24]. Ndonëse gjykatat kombëtare nuk e kanë akuzuar paditësin për një krim lufte më vete për arsye të këtij fakti, mbetet gjithsesi që ky element nuk është pa ndikim te krimet e tjera të luftës për të cilat fajësohet i interesuari (në veçanti ato për vrasje dhe plagosje nëpërmjet tradhtisë, shih paragrafin 217 të mëposhtëm). Gjykata do ta pranojë pra që paditësi dhe pjesëtarët e njësitit të tij ishin “luftëtarë”. Një nga hipotezat e pranuara prej saj lidhur me fshatarët e vdekur është se edhe ata do të mund të konsideroheshin si “luftëtarë” (paragrafi 194 i mësipërm).
202. Për sa u përket të drejtave që lidhen me statusin e luftëtarit, jus i bello u njihte më 1944 luftëtarëve që kapeshin, dorëzoheshin ose nxirreshin jashtë luftimi të drejtën për statusin e robit të luftës, dhe robërit e luftës kishin të drejtë për një trajtim njerëzor[25]. Pra ishte në kundërshtim me jus in bello në fuqi më 1944 që të keqtrajtohej një rob lufte ose që të ekzekutohej ai në vend[26], megjithëse lejohej përdorimi i armëve kur, për shembull, një rob lufte tentonte të ikte ose të sulmonte ata që e kishin kapur[27].
203. Për sa i përket mbrojtjes që u jepej “civilëve që kishin marrë pjesë në luftime” – hipoteza tjetër e pranuar lidhur me fshatarët e vdekur – Gjykata shënon se më 1944 dallimi mes luftëtarëve dhe civilëve (dhe midis mbrojtjeve që u jepeshin atyre) ishte një prej themeleve të ligjeve dhe të zakoneve të luftës, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (“GjND”) e ka përshkruar këtë dallim si një nga dy “parimet themelore që gjenden në tekstet që përbëjnë indin e të drejtës humanitare”[28]. Nga dispozitat e konventave dhe nga deklaratat e mëparshme del se më 1944 “civilët” përkufizoheshin si diçka e kundërt me luftëtarët[29]. Madje, sipas së drejtës ndërkombëtare zakonore në fuqi më 1944, civilët nuk mund të sulmoheshin veçse kur merrnin pjesë drejtpërdrejt në luftime dhe vetëm për aq kohë sa zgjaste kjo pjesëmarrje[30].
204. Së fundi, nëse civilët që kishin marrë pjesë në luftime dyshohej se ishin fajtorë për shkelje të jus in bello (për shembull, për tradhti në luftë përmes dhënies së informatave administratës ushtarake gjermane, paragrafi 194 i mësipërm), ata mund të arrestoheshin, të gjykoheshin – në kuadër të një procesi të drejtë – dhe të dënoheshin për veprimet në fjalë nga një juridiksion ushtarak ose civil, por ekzekutimi i tyre në vend, pa gjyq, ishte në kundërshtim me ligjet dhe me zakonet e luftës[31].
b) A i ngarkonin krimet e luftës me përgjegjësi penale individuale autorët e tyre më 1944?
205. Më 1944, me krim lufte kuptohej një shkelje e ligjeve dhe e zakoneve të luftës[32].
206. Gjykata shënon këtu më poshtë etapat kryesore të kodifikimit të ligjeve dhe të zakoneve të luftës, si edhe të zhvillimit të parimit të përgjegjësisë penale individuale deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore e duke e përfshirë edhe atë.
207. Megjithëse nocioni i krimeve të luftës njihet që prej shekujsh, veprimet që përbëjnë krime lufte të cilat mund ta ngarkojnë me përgjegjësi penale individuale autorin e tyre kanë filluar të bëhen objekt të një kodifikimi të qëndrueshëm në mesin e shekullit XIX. Kodi Lieber i vitit 1863 (paragrafët 63-77 të mësipërm) përkufizonte një numër shkeljesh të ligjeve dhe të zakoneve të luftës dhe përcaktonte sanksionet lidhur me to, dhe shumë nga ato dispozita[33] përfshinin parimin e një përgjegjësie penale individuale. Ky kod, me prejardhje amerikane, ka qenë kodifikimi i parë modern i ligjeve dhe i zakoneve të luftës dhe ai ka luajtur një rol në konferencat e mëvonshme kodifikuese, veçanërisht në Konferencën e Brukselit të mbajtur më 1874 (paragrafi 79 i mësipërm). Manuali i Oksfordit i vitit 1880 i ndalonte nga ana e tij një mori veprimesh që ishin në kundërshtim me ligjet dhe zakonet e luftës dhe thoshte shprehimisht se “shkelësit e ligjeve të luftës dënohen me ndëshkimet e përcaktuara në ligjin penal”. Këto kodifikime të para, e sidomos projekti i Deklaratës së Brukselit, kanë frymëzuar nga ana e tyre Konventën dhe Rregulloren e Hagës të vitit 1907. Pikërisht këto dy instrumente të fundit kanë qenë më domethënëse në procesin e kodifikimit. Më 1907, ato bënin shpalljen e ligjeve dhe të zakoneve të luftës: ato përkufizonin sidomos disa nocione kyçe përkatëse (luftëtarë, mobilizim masiv, jashtë luftimi), numëronin me hollësi shkeljet e ligjeve dhe të zakoneve të luftës dhe, nëpërmjet Klauzolës Martens, u siguronin një mbrojtje të qëndrueshme popullsive dhe ndërluftuesve në rastet e pambuluara nga një prej dispozitave të tyre. Këto tekste vendosnin në parim përgjegjësinë e shteteve, të cilat duhej t’u jepnin forcave të tyre të armatosura udhëzime në përputhje me Rregulloren lidhur me ligjet dhe zakonet e luftës, si edhe të paguanin një dëmshpërblim në rast shkeljeje të dispozitave të kësaj Rregulloreje nga pjesëtarët e forcave të tyre.
Ndikimi që kishte pasur Lufta e parë Botërore mbi popullsinë civile ka sjellë futjen e disa dispozitave në Traktatet e Versajës dhe të Sevrës rreth përgjegjësisë, gjykimit dhe ndëshkimit të kriminelëve të pandehur të luftës. Punimet e Komisionit Ndërkombëtar të vitit 1919 (pas Luftës së Parë Botërore) dhe të UNWCC-së (gjatë Luftës së Dytë Botërore) kanë dhënë ndihmesë të madhe për konsolidimin e parimit të përgjegjësisë penale individuale në të drejtën ndërkombëtare. “E drejta e Gjenevës” (konkretisht konventat e viteve 1864, 1906 dhe 1929, paragrafët 53-62 të mësipërm) i mbronte viktimat e luftës dhe u jepte garanci anëtarëve të forcave të armatosura që mbeteshin të pafuqishëm dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. E drejta e Hagës dhe ajo e Gjenevës janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, sepse e dyta e plotëson të parën.
Statuti i GjUN-së së Nurembergut i përcaktonte në mënyrë jo kufizuese krimet e luftës që i ngarkojnë autorët e tyre me përgjegjësi penale individuale. Në vendimin e saj, gjykata shprehu mendimin se rregullat humanitare që paraqiteshin në Konventën dhe në Rregulloren e Hagës të vitit 1907 ishin “të pranuara nga të gjitha shtetet e qytetëruara dhe shiheshin prej tyre si shprehje, e kodifikuar, e ligjeve dhe e zakoneve të luftës” të cilat ishin të zbatueshme më 1939 dhe se shkeljet e këtyre teksteve përbënin krime autorët e të cilave duhej të dënoheshin. Doktrina e pranonte në atë kohë se e drejta ndërkombëtare i përkufizonte tashmë krimet e luftës dhe kërkonte që të bëheshin ndjekje penale kundër autorëve të tyre[34]. Statuti i GjUN-së së Nurembergut nuk ishte pra një legjislacion penal ex post facto. Për sa u takon “parimeve të Nurembergut”, të nxjerra më pas nga Statuti dhe nga vendimi i GjUN-së së Nurembergut, ato përsëritnin përkufizimin e atij nocioni të krimeve të luftës që ishte formuluar në Statut dhe parimin sipas të cilit çdo autor i një veprimi që përbën një krim sipas së drejtës ndërkombëtare mban përgjegjësi për të dhe dënohet me një ndëshkim[35].
208. Gjatë të gjithë kësaj periudhe kodifikimi, ligjet dhe zakonet e luftës u zbatuan kryesisht nga juridiksionet penale dhe ushtarake kombëtare, kurse ndjekjet penale ndërkombëtare përmes GjUN-ve patën karakter të jashtëzakonshëm. Madje vendimi i GjUN-së së Nurembergut e pranoi shprehimisht se juridiksionet e brendshme vazhdonin të kishin një rol për të luajtur në këtë fushë. Për pasojë, vendosja e përgjegjësisë ndërkombëtare të shteteve të bazuar mbi traktatet e konventat[36] nuk e kishte hequr detyrimin që u caktonte shteteve e drejta zakonore për të ndjekur penalisht e për të dënuar, me anë të juridiksioneve të tyre penale dhe ushtarake, individët që ishin bërë fajtorë për shkelje të ligjeve dhe të zakoneve të luftës. Si e drejta ndërkombëtare ashtu edhe e drejta kombëtare (ku përfshiheshin normat ndërkombëtare të mbartura) shërbenin si bazë për ndjekjet penale dhe për përcaktimin e përgjegjësisë në nivel kombëtar. Në veçanti, kur e drejta kombëtare nuk i përkufizonte elementet që përbënin një krim lufte, gjykata kombëtare mund të mbështetej tek e drejta ndërkombëtare për të argumentuar arsyetimin e saj, pa i shkelur parimet nullum crimen e nulla poena sine lege[37].
209. Për sa i përket praktikës së këtyre gjykatave kombëtare, Gjykata vë në dukje se, ndonëse ndëshkimi i krimeve të luftës ishte i parashikuar nga rendet juridike dhe manualet ushtarake të një numri të madh shtetesh përpara Luftës së Parë Botërore, shumë pak prej këtyre shteteve i ndiqnin penalisht kriminelët e tyre të luftës[38], kurse gjykatat ushtarake amerikane në Filipine përbënin një përjashtim të dukshëm e domethënës[39], ashtu si edhe proceset e Lajpcigut dhe proceset turke të organizuara pas Luftës së Parë Botërore. Së fundi, vullneti për t’i ndjekur penalisht autorët e krimeve të luftës të kryera në rastin e Luftës së Dytë Botërore u shfaq shumë herët pas shpërthimit të kësaj të fundit[40] dhe, paralelisht me ndjekjet ndërkombëtare, u ruajt parimi i një ndjekjeje penale të kriminelëve të luftës përpara juridiksioneve të brendshme[41]. Kështu, përveç procedimeve përpara GjUN-së së Nurembergut, procese të brendshme lidhur me krime lufte të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore u zhvilluan në vende të ndryshme, sidomos në BRSS[42], gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas përfundimit të saj[43]. Disa nga këto procese e meritojnë të vihen në dukje për trajtimin e thellë që u kanë bërë parimeve të rëndësishme të ligjeve dhe të zakoneve të luftës, në veçanti lidhur me detyrimin për t’u siguruar një proces të drejtë luftëtarëve dhe civilëve të dyshuar për krime lufte.
210. Dhoma e Madhe i ka mbajtur shënim vërejtjet e hollësishme dhe kundërshtuese të formuluara nga palët dhe të tretët që kanë ndërhyrë rreth çështjes së ligjshmërisë së përfshirjes së Letonisë në BRSS më 1940 dhe, për pasojë, rreth pikës nëse veprimet e kryera më 27 maj 1944 paraqisnin apo jo një lidhje me konfliktin e armatosur ndërkombëtar dhe nëse ato mund të paraqiteshin kështu si krime lufte. Ajo është e mendimit (ashtu si dhoma në paragrafin 112 të vendimit të saj) se nuk i përket asaj që të shprehet lidhur me çështjen e ligjshmërisë së përfshirjes së Letonisë në BRSS e se gjithsesi një vlerësim i tillë nuk kërkohet medoemos në rastin e çështjes në fjalë. Në qoftë se më 1944 ishte e nevojshme të vërtetohej ekzistenca e një lidhjeje me një konflikt të armatosur ndërkombëtar për të nisur ndjekje penale sipas një akuze për krime lufte, kjo nuk do të thotë që objekti i ndjekjeve të tilla mund të ishin vetëm pjesëtarët e forcave të armatosura ose qytetarët e shteteve palë në konflikt. Ajo që kërkohej ishte një lidhje e drejtpërdrejtë midis krimit të pretenduar dhe konfliktit të armatosur ndërkombëtar. Me fjalë të tjera, krimi i pretenduar duhet të ishte një veprim i kryer për qëllim të objektivave të luftës[44]. Në rastin e çështjes në fjalë, gjykatat e brendshme kanë çmuar se operacioni i 27 majit 1044 ishte organizuar për arsyen se disa fshatarë dyshoheshin që kishin bashkëpunuar me administratën gjermane. Është pra e qartë se ngjarjet që janë objekt i kësaj çështjeje kishin një lidhje të drejtpërdrejtë me konfliktin e armatosur ndërkombëtar midis BRSS-së dhe Gjermanisë dhe se veprimet në fjalë ishin kryer haptazi për qëllimet e objektivave luftarake sovjetike.
211. Te parimi i përgjegjësisë individuale të komandantëve, Gjykata sheh një mënyrë përgjegjësie penale që lejon të sanksionohet një epror që nuk e ka kryer detyrën që ka për ta ushtruar autoritetin e tij, dhe jo një mënyrë përgjegjësie që bazohet te veprimi i tjetërkujt. Nocioni i përgjegjësisë penale për veprimet e vartësve rrjedh nga dy rregulla zakonore të vendosura prej shumë kohësh, të cilat kërkojnë, së pari, që një luftëtar të jetë nën komandën e një eprori dhe, së dyti, që ai t’i bindet ligjeve dhe zakoneve të luftës (paragrafi 200 i mësipërm)[45]. Përgjegjësia penale individuale për veprimet e kryera nga vartësit u mor parasysh në disa procese të zhvilluara para Luftës së Dytë Botërore[46], në disa instrumente kodifikimi, në deklaratat e bëra nga disa shtete gjatë kësaj lufte dhe menjëherë pas saj[47] dhe në disa procese (kombëtare e ndërkombëtare) për krime lufte të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore[48]. Që prej asaj kohe, kjo përgjegjësi është pohuar si parim i së drejtës ndërkombëtare zakonore[49] dhe përfshihet sistematikisht në Statutet e gjykatave ndërkombëtare[50].
212. Së fundi, në rast se e drejta ndërkombëtare nuk i përkufizonte me një qartësi të mjaftueshme sanksionet që lidheshin me këtë apo atë krim lufte, atëherë një gjykatë kombëtare, pasi ta kishte gjykuar fajtor një të akuzuar, mund t’ia caktonte dënimin mbi bazën e së drejtës së brendshme penale[51].
213. Për këtë arsye, Gjykata është e mendimit se në maj 1944 krimet e luftës përkufizoheshin si veprime në kundërshtim me ligjet dhe zakonet e luftës, se e drejta ndërkombëtare i paraqiste parimet themelore që nënkuptonte kjo akuzë dhe se ajo jepte një varg të gjatë shembujsh për veprime që përbënin krime lufte. Shtetet kishin së paku lejen (në mos detyrimin) që të merrnin masa për t’i dënuar individët fajtorë për krime të tilla, përfshirë edhe mbi bazën e parimit të përgjegjësisë së komandantëve. Pikërisht kështu, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, disa gjykata ndërkombëtare dhe kombëtare kanë ndjekur penalisht ushtarë për krime lufte të kryera gjatë atij konflikti.
c) Krimet e luftës për të cilat është dënuar paditësi
214. Gjykata do të shqyrtojë pra nëse ekzistonte apo jo në atë kohë një bazë ligjore mjaftueshëm e qartë për krimet e veçanta të luftës për të cilat është dënuar paditësi. Për ta bërë këtë, ajo do të mbështetet te parimet e përgjithshme të përshkruara këtu më poshtë.
215. Ajo rikujton që, në çështjen e kanalit të Korfuzit[52], GjND-ja ka deklaruar se detyrimet për ta bërë të njohur ekzistencën e një fushe të minuar brenda ujërave territoriale dhe për të paralajmëruar për të anijet që afrohen mbështeteshin jo te Konventa e Tetë e Hagës e vitit 1907, e cila ishte e zbatueshme në kohë lufte, por te disa “parime të përgjithshme e të mirënjohura” si, në radhë të parë, “disa konsiderata elementare njerëzie”, edhe më absolute në kohë paqeje sesa në kohë lufte. Në mendimin këshillimor “Ligjshmëria e kërcënimit ose e përdorimit të armëve bërthamore”, të dhënë prej saj më vonë[53], GjND-ja u është referuar dy “parimeve themelore që gjenden në tekstet që përbëjnë indin e të drejtës humanitare”: i pari, i përmendur më lart, ishte parimi i dallimit, i cili kishte si qëllim “të mbrojë popullsinë civile dhe pasuritë me karakter civil”, ndërsa sipas të dytit, “nuk [duhej] t’u shkaktohen dëme të panevojshme luftëtarëve”[54]. Duke u mbështetur shprehimisht te Klauzola Martens, GjND-ja kishte vënë në dukje se, pa dyshim, pikërisht ngaqë një numër i madh rregullash të së drejtës humanitare të zbatueshme në konfliktet e armatosura ishin aq themelore për “respektimin e personit njerëzor” dhe për “konsiderata elementare njerëzie”, prandaj ishin bërë Konventat e Hagës e të Gjenevës “parime të pashkelshme të së drejtës ndërkombëtare zakonore” që prej procesit të Nurembergut. Këto parime, duke përfshirë edhe Klauzolën Martens, përbënin për të norma juridike sipas kutit të së cilave duhej të vlerësoheshin nga gjykatat veprimet e kryera në një kontekst lufte[55].
216. Gjykata shënon së pari se juridiksionet penale kombëtare janë mbështetur te dispozitat e Konventës së Katërt të Gjenevës të vitit 1949 (paragrafët 60-62 të mësipërm) për ta dënuar paditësin për keqtrajtime, plagosje e pastaj vrasje të fshatarëve. Ajo çmon se, duke pasur parasysh veçanërisht nenin 23 c) të Rregullores së Hagës të vitit 1907, se, edhe sikur të pranohej që fshatarët e vdekur ishin luftëtarë ose civilë që kishin marrë pjesë në luftime, nga jus in bello, ashtu siç ekzistonte kjo më 1944, dilte se veprimet në fjalë ishin në kundërshtim me një rregull themelor të ligjeve dhe të zakoneve të luftës që i mbronte armiqtë jashtë luftimi dhe përbënin kështu një krim lufte. Për të përfituar nga kjo mbrojtje, një individ duhej të ishte i plagosur, në gjendje të pafuqishme ose të ishte i pazoti për t’u mbrojtur për një arsye tjetër (dhe të mos mbante armë), por nuk kërkohej që të gëzonte medoemos një status juridik të veçantë dhe as të ishte dorëzuar formalisht[56]. Madje si luftëtarë, fshatarët do të kishin pasur të drejtë për një mbrojtje si robër lufte të rënë në duart e paditësit e të njësitit të tij, dhe trajtimi e pastaj ekzekutimi i tyre në vend do të kishte qenë në kundërshtim me rregullat e zakonet e shumta të luftës që i mbronin robërit e luftës (paragrafi 202 i mësipërm). Për këto arsye, keqtrajtimet, plagosjet e pastaj vrasja e fshatarëve përbënin një krim lufte.
217. Së dyti, Gjykata çmon se juridiksionet kombëtare janë bazuar me të drejtë te neni 23 b) i Rregullores së Hagës të vitit 1907 për të mbështetur ligjërisht një dënim më vete për plagosje dhe vrasje me tradhti. Në kohën e ngjarjeve, tradhtia e pabesia ishin nocione të përafërta, dhe plagosjet ose vrasjet quhej se ishin bërë me tradhti në rast se autori, me veprime të paligjshme si për shembull mbajtja padrejtësisht e uniformës armike, i kishte krijuar armikut mendimin se nuk ishte nën kërcënimin e një sulmi. Ashtu siç e ka shënuar Gjykata në paragrafët 16 e 201 të mësipërm, paditësi dhe njësiti i tij e mbanin me të vërtetë uniformën gjermane gjatë operacionit të kryer në Mazie Bati. Neni 23 b) ishte haptazi i zbatueshëm nëse fshatarët konsideroheshin si “luftëtarë” e mund të zbatohej edhe sikur ata të konsideroheshin si civilë që kishin marrë pjesë në luftime. Kjo dispozitë e ndalonte vrasjen ose plagosjen me tradhti të individëve që i përkasin kombit ose ushtrisë armike, shprehje e cila mund të interpretohet sikur i përmbledh të gjithë personat e rënë në një mënyrë a në një tjetër në duart e një ushtrie armike, duke përfshirë aty edhe popullsinë civile të një territori të pushtuar.
218. Së treti, gjykatat letone janë mbështetur te neni 16 i Konventës së Katërt të Gjenevës të vitit 1949 për të dalë në konkluzionin se djegia për së gjalli e një gruaje shtatzënë, pa e marrë parasysh mbrojtjen e veçantë që u jepet grave, përbënte një krim lufte. I shpallur përmes instrumentesh të vjetër sa Kodi Lieber, i vitit 1863 (nenet 19 e 37), parimi sipas të cilit gratë, a fortiori kur janë shtatzëna, duhet të jenë objekt i një mbrojtjeje të posaçme në kohë lufte ishte pjesë e ligjeve dhe e zakoneve të luftës në kohën e ngjarjeve të çështjes në fjalë. Ai është përforcuar përmes “së drejtës së Gjenevës” lidhur me robërit e luftës (për arsye të cenueshmërisë së veçantë të grave që ndodhen në atë situatë)[57]. Gjykata vlerëson se shprehjet e ndryshme të “mbrojtjes së posaçme” që u jepet grave, të bashkuara me mbrojtjen e parashikuar nga Klauzola Martens (paragrafët 86-87 dhe 215 të mësipërm), janë të mjaftueshme për të dalë në përfundimin se dënimi i paditësit për një krim lufte më vete për arsye të vrasjes së Znjës Krupniks, e cila u dogj për së gjalli, mbështetej mbi një bazë ligjore të pranueshme. Ajo e sheh ripohimin e kësaj pikëpamjeje në mbrojtjet e shumta të posaçme që u janë dhënë në veçanti grave menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në Konventat e Parë, e Dytë dhe e Katërt të Gjenevës të vitit 1949, sidomos në nenin 16 të Konventës së Katërt.
219. Së katërti, juridiksionet e brendshme janë mbështetur te neni 25 i Rregullores së Hagës të vitit 1907, i cili i ndalonte sulmet ndaj vendbanimeve të pambrojtura. Ky nen përfshihej në një tërësi dispozitash të ngjashme të së drejtës ndërkombëtare (në veçanti neni 23 g) i Rregullores së Hagës të vitit 1907), të cilat i ndalonin shkatërrimet e pronave private që nuk “diktoheshin medoemos prej nevojave të luftës”[58]. Në nivelin kombëtar nuk është provuar, madje as përpara Gjykatës nuk është mbrojtur mendimi që zjarrvënia e fermës në Mazie Bati të ketë qenë e diktuar ashtu.
220. Së pesti, ndonëse në nivelin kombëtar janë përmendur dispozitat e ndryshme të Konventës së Hagës të vitit 1907, të Konventës së Katërt të Gjenevës të vitit 1949 dhe të Protokollit Shtesë të vitit 1977 lidhur me akuzat për plaçkitje (vjedhje veshmbathjesh dhe ushqimesh), juridiksionet e brendshme nuk kanë nxjerrë konkluzione formale që të jenë kryer vjedhje të tilla.
221. Së fundi, Gjykata do të shtojë se, edhe sikur të pranohet që fshatarët (pavarësisht nga statusi që u caktohet atyre) të kishin kryer krime lufte, më 1944 e drejta ndërkombëtare zakonore i lejonte paditësit dhe njësitit të tij vetëm që t’i arrestonin fshatarët dhe, vetëm pas shpalljes së një dënimi në përfundim të një procesi të drejtë, të ekzekutonin ndëshkimin e dhënë (paragrafi 204 i mësipërm). Ashtu siç e ka vënë në dukje Qeveria e paditur në versionin e ngjarjeve që ajo i ka parashtruar dhomës (paragrafët 21-24 të mësipërm) dhe që e përsërit përpara Dhomës së Madhe (paragrafi 162 i mësipërm), paditësi përshkruan në të vërtetë atë çka ai ishte dashur të bënte (t’i arrestonte fshatarët për qëllim të gjykimit të tyre). Sido që të jetë, edhe në rast se një gjykatë partizanësh e kishte shpallur një vendim, edhe në rast se jo (paragrafi 132 i vendimit të dhomës), nuk do të mund të quhej si i drejtë një proces i mbajtur në mungesë të fshatarëve të akuzuar, në padijeninë e tyre ose pa pjesëmarrjen e tyre, dhe i pasuar nga ekzekutimi i tyre.
222. Duke çmuar se veprimet e lartpërmendura të kryera nga paditësi mund të analizoheshin si krime lufte më 1944 (Streletz, Kessler dhe Krenz i cituar më lart, § 76), Gjykata mendon që nuk është me vend që të ceken akuzat e tjera të pranuara kundër tij.
223. Përveç kësaj, Senati i Gjykatës së Lartë ka shënuar që Dhoma e Çështjeve Penale e kishte vërtetuar, mbi bazën e provave, se paditësi e kishte organizuar, komanduar e drejtuar njësitin e partizanëve që, ndër të tjera, kishte vrarë fshatarët e shkatërruar fermat dhe se këto veprime kishin qenë të paramenduara. Duke u mbështetur te neni 6 i Statutit të GjUN-së së Nurembergut, ai i ka gjykuar këto elemente si të mjaftueshme për të bërë që pesha e përgjegjësisë së komandës për veprimet e njësitit të rëndojë mbi paditësin. Në veçanti, faktet e vërtetuara tregonin se i interesuari e kishte drejtuar njësitin de jure dhe de facto. Duke pasur parasysh qëllimin e misionit, ashtu siç është përcaktuar ai në nivelin e brendshëm, paditësi kishte synimin kriminal (mens rea) të duhur. Madje, vërejtjet e vetë të interesuarit përpara Dhomës së Madhe (sipas të cilave njësiti i tij nuk do të kishte mundur t’i arrestonte fshatarët, duke pasur sidomos parasysh misionin që ai kishte dhe situatën e luftimit, paragrafi 162 i mësipërm) përputhen plotësisht me faktet e lartpërmendura të përcaktuara nga Dhoma e Çështjeve Penale. Duke marrë parasysh përgjegjësinë që i binte paditësit në cilësinë e tij si komandant, nuk është me vend të hulumtohet nëse kanë pasur mundësi juridiksionet e brendshme që të nxirrnin në mënyrë legjitime konkluzionin se paditësi e kishte bërë personalisht një prej veprimeve të kryera në Mazie Bati më 27 maj 1944 (paragrafi 141 i vendimit të dhomës).
224. Së fundi, Gjykata dëshiron të sqarojë dy pika të fundit.
225. Qeveria e paditur mbron mendimin se veprimet e paditësit nuk mund të paraqiten si reprezalje të ligjshme të një ndërluftuesi. As paditësi, as Qeveria e Federatës së Rusisë nuk i janë përgjigjur në thelb këtij argumenti. Juridiksionet e brendshme kanë qenë sigurisht të mendimit se i interesuari e kishte kryer operacionin e Mazie Batit si “reprezalje”, por është e qartë se, sado që përpara tyre ishte mbrojtur ideja e ligjshmërisë së këtyre reprezaljeve, ato nuk e kanë pranuar atë argument. Gjykata nuk sheh asnjë arsye për ta vënë përsëri në pikëpyetje vlerësimin e dhënë në këtë drejtim nga gjykatat e brendshme (sido që të konsiderohen fshatarët, si luftëtarë apo si civilë që kishin marrë pjesë në luftime)[59].
226. Për sa i përket paragrafit 134 të vendimit të dhomës, Dhoma e Madhe çmon, së bashku me Qeverinë e paditur, se askush nuk mund të mbrohet nga një akuzë për krime lufte duke thënë se edhe të tjerë kanë kryer krime të tilla, veç në mos qoftë që këto lloj veprimesh të cilat u ngarkohen të tjerëve të kenë pasur një karakter, një gjerësi e një rregullsi të tillë sa të dëshmojnë për një ndryshim në zakonin ndërkombëtar.
227. Si përfundim, edhe sikur të hamendësohet që fshatarët e vdekur të mund të konsiderohen se ishin “civilë që kishin marrë pjesë në luftime” ose “luftëtarë” (paragrafi 194 i mësipërm), dënimi dhe sanksioni që i janë caktuar paditësit për krime lufte të kryera në cilësinë e tij si komandant i njësitit përgjegjës për sulmin e bërë në Mazie Bati më 27 maj 1944 mbështeteshin mbi një bazë ligjore mjaftueshëm të qartë duke pasur parasysh gjendjen e së drejtës ndërkombëtare më 1944. Gjykata shton se, sikur fshatarët të ishin konsideruar si “civilë”, ata do të kishin pasur të drejtë, prej vetë këtij fakti, për një mbrojtje ende edhe më të madhe.
5. A ishin të parashkruara akuzat për krime lufte?
228. Qeveria e Federatës së Rusisë mbron mendimin se ndjekjet penale kundër paditësit ishin parashkruar të paktën qysh prej vitit 1954, duke pasur parasysh afatin maksimal të parashkrimit të parashikuar nga neni 14 i Kodit Penal të vitit 1926. Qeveria letone çmon nga ana e saj se nuk kishte parashkrim, kurse paditësi, nga ana e tij, mbështetet te vendimi i dhomës.
229. Paditësi është dënuar mbi bazën e nenit 68-3 të Kodit Penal të vitit 1961, ndërkohë që neni 6 § 1 i të njëjtit Kod shprehej se krimet e luftës ishin të paparashkrueshme, dhe të dyja dispozitat ishin përfshirë në Kodin Penal të vitit 1993. Senati i Gjykatës së Lartë ka cituar gjithashtu Konventën e vitit 1968 (paragrafët 130-132 të mësipërm) në mbështetje të arsyetimit të tij. Pika thelbësore në konfliktin mes palëve është pra që të përcaktohet nëse ndjekjet penale të nisura kundër paditësit (mbi bazën e paparashkrueshmërisë së veprave penale në fjalë) analizohen ose jo si një shtrirje ex post facto e afatit të parashkrimit që do të kishte qenë i zbatueshëm në nivelin kombëtar më 1944 dhe nëse duhet të shihet apo jo aty, për rrjedhojë, një zbatim prapaveprues i së drejtës penale (Coëme me të tjerë k. Belgjikës, nr. 32492/96, 32547/96, 32548/96, 33209/96 dhe 33210/96, GjEDNj 2000‑VII).
230. Gjykata vëren se, në qoftë se paditësi do të ishte ndjekur penalisht për krime lufte në Letoni më 1944, faktet e synuara nuk do të kishin qenë të mbuluara (paditësi dhe Qeveria e Federatës së Rusisë e kanë të përbashkët këtë pikëpamje) nga kapitulli IX rreth krimeve të luftës që paraqitej në Kodin Penal të vitit 1926: një gjykate kombëtare do t’i ishte dashur pra të mbështetej tek e drejta ndërkombëtare për të ngritur akuza të tilla (paragrafët 196 dhe 208 të mësipërm). Po ashtu, neni 14 i Kodit Penal të vitit 1926, i cili parashikonte afate parashkrimi vetëm për veprat penale që dënoheshin prej atij Kodi, nuk ishte i zbatueshëm për krimet e luftës që ndëshkoheshin nga e drejta ndërkombëtare dhe asgjë në atë Kod nuk tregonte që dispozitat në fushën e parashkrimit mund të zbatoheshin për krime të tilla. Përkundrazi, Gjykata shënon se Kodi Penal i vitit 1926 ishte konceptuar si një sistem i cili lejonte të ndiqeshin penalisht ato “veprime shoqërisht të rrezikshme” që mund të cenonin rendin socialist në fuqi[60], çka ilustrohet nga terminologjia e shënimeve që e shoqëronin nenin 14. Në këto kushte, ndjekjet penale për krime lufte në nivelin kombëtar më 1944 do të kishin kërkuar referimin tek e drejta ndërkombëtare, jo vetëm për përkufizimin e këtyre krimeve, por edhe për përcaktimin e afatit të zbatueshëm për parashkrim.
231. Gjithsesi, më 1944, e drejta ndërkombëtare ishte e heshtur në këtë fushë. Në asnjë deklaratë ndërkombëtare të mëparshme[61] rreth përgjegjësisë për krime lufte dhe detyrimit për t’i ndjekur penalisht e për t’i ndëshkuar ato nuk ishte parashikuar afat parashkrimi[62]. Në qoftë se neni II § 5 i Ligjit nr. 10 të Këshillit të Kontrollit e trajtonte çështjen lidhur me krimet e luftës të kryera në territorin gjerman përpara dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Statutet e GjUN-ve të Nurembergut e të Tokios, Konventa e vitit 1948 për gjenocidin, Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Parimet e Nurembergut nuk parashikonin asgjë lidhur me parashkrueshmërinë e krimeve të luftës (siç e vërteton hyrja e Konventës së vitit 1968).
232. Çështja thelbësore për të cilën duhet të vendosë Gjykata është pra që të përcaktohet nëse, në çfarëdo momenti përpara nisjes së ndjekjeve penale kundër paditësit, ndjekje të tilla duhej të quheshin si të parashkruara sipas të drejtës ndërkombëtare. Nga paragrafi i mësipërm del se, më 1944, nga e drejta ndërkombëtare nuk caktohej asnjë afat parashkrimi lidhur me ndjekjet penale për krime lufte dhe, në zhvillimin e saj pas vitit 1944, e drejta ndërkombëtare nuk ka përmbajtur kurrë norma sipas të cilave do të ishin parashkruar krimet e luftës që i ngarkohen të paditurit[63].
233. Përmbledhtazi, Gjykata çmon, së pari, se asnjë prej dispozitave të së drejtës së brendshme lidhur me parashkrimin nuk ishte e zbatueshme (paragrafi 230 i mësipërm) dhe, së dyti, akuzat e drejtuara kundër paditësit nuk janë parashkruar kurrë sipas së drejtës ndërkombëtare (paragrafi 232 i mësipërm). Ajo nxjerr pra si përfundim se ndjekjet penale të drejtuara kundër paditësit nuk ishin të parashkruara.
6. A mund ta parashikonte paditësi që veprimet në fjalë do të analizoheshin si krime lufte dhe që ai do të ndiqej penalisht?
234. Paditësi mbron idenë që ai nuk mund ta parashikonte se veprimet që janë objekt i kësaj çështjeje do të gjykoheshin se përbënin krime lufte dhe se ai do të ndiqej më vonë penalisht.
Ai mbrohet duke thënë së pari se më 1944 ai nuk ishte veçse një ushtar i ri i vendosur në një situatë luftimi prapa vijave të armikut dhe i shkëputur nga konteksti ndërkombëtar i përshkruar më lart dhe se, në ato kushte, ai nuk mund ta parashikonte që veprimet për të cilat është dënuar do të analizoheshin si krime lufte. Ai mbron së dyti idenë se ka qenë politikisht e paparashikueshme që ai do të ndiqej penalisht: dënimi i tij pas rivendosjes së pavarësisë së Letonisë më 1991 paska qenë një veprim politik nga ana e shtetit leton dhe nuk iu përgjigjka një dëshire të vërtetë të këtij vendi për të respektuar detyrimin e vet ndërkombëtar për të ndjekur penalisht kriminelët e luftës.
235. Lidhur me pikën e parë, Gjykata çmon se, duke pasur parasysh kontekstin, i cili është ai i sjelljes së një oficeri komandues në vështrim të ligjeve dhe të zakoneve të luftës, nocionet e kuptueshmërisë dhe të parashikueshmërisë duhet të shqyrtohen bashkërisht.
Ajo rikujton përveç kësaj që rëndësia e nocionit të parashikueshmërisë varet në një masë të madhe nga përmbajtja e tekstit për të cilin bëhet fjalë, nga fusha që mbulon ai, si edhe nga numri dhe cilësia e atyre të cilëve ai u drejtohet. Profesionistët duhet të tregojnë një maturi të madhe në ushtrimin e profesionit të tyre. Prandaj prej tyre mund të pritet që t’i kushtojnë një kujdes të veçantë vlerësimit të rreziqeve që përmban ai (Pessino k. Francës, nr. 40403/02, § 33, 10 tetor 2006).
236. Për sa i përket pikës se a mund të mendohet apo jo që, pavarësisht nga fakti se mbështetej vetëm tek e drejta ndërkombëtare, cilësimi i veprimeve në fjalë si krime lufte ishte në mënyrë të mjaftueshme i kuptueshëm dhe i parashikueshëm për paditësin më 1944, Gjykata rikujton që më parë ajo ka çmuar se përgjegjësia penale individuale e një ushtari të thjeshtë (roje kufitare) ishte e përkufizuar me kuptueshmëri dhe parashikueshmëri të mjaftueshme sidomos nga detyrimi për të respektuar instrumentet ndërkombëtare të së drejtave të njeriut, ndonëse këto, një prej të cilave madje nuk ishte ratifikuar nga shteti në fjalë në kohën e ngjarjeve, nuk lejonin që ankuesit t’i ngarkohej një përgjegjësi penale individuale (K.-H.W. i cituar më lart, §§ 92-105). Gjykata është e mendimit se edhe një ushtar i thjeshtë nuk do të mund t’u përmbahej tërësisht e verbërisht disa urdhrave që i shkelin hapur jo vetëm vetë parimet ligjore të vendit të tij, por edhe të drejtat e njeriut në një rrafsh ndërkombëtar e, sidomos, të drejtën për jetën, e cila është vlera më e lartë në hierarkinë e të drejtave të njeriut (K.‑H.W. i cituar më lart, § 75).
237. Është e vërtetë që (në dallim nga rasti i çështjes K.‑H.W. k. Gjermanisë) Kodi Penal i vitit 1926 nuk përmbante asnjë referim ndaj ligjeve dhe zakoneve ndërkombëtare të luftës dhe që (në dallim nga rasti i çështjes Korbely të cituar më lart, §§ 74-75) këto ligje dhe zakone ndërkombëtare nuk kishin qenë objekt i një botimi zyrtar në BRSS ose në RSS të Letonisë. Megjithatë, ky aspekt nuk mund të jetë vendimtar. Nga konkluzionet e nxjerra në paragrafët 213 dhe 227 të mësipërm del në të vërtetë me qartësi se ligjet dhe zakonet ndërkombëtare të luftës ishin në vetvete të mjaftueshme më 1944 për ta ngarkuar paditësin me përgjegjësi penale individuale.
238. Gjykata shënon përveç kësaj se më 1944 këto ligje përbënin një lex specialis të hollësishëm që përcaktonte parametrat e sjelljes kriminale në kohë lufte, i cili u drejtohej para së gjithash forcave të armatosura dhe, në veçanti, komandantëve. Paditësi në rastin e çështjes në fjalë ishte rreshter në ushtrinë sovjetike dhe ishte caktuar në regjimentin rezervist të divizionit leton: në kohën e ngjarjeve, ai ishte pjesëtar i një njësie komando dhe në krye të një skuadre e cila kishte si veprimtari kryesore sabotimin ushtarak dhe propagandën. Duke pasur parasysh pozitën e tij si komandant ushtarak, Gjykata çmon se është e arsyeshme që të mund të pritej prej tij që ai t’i vlerësonte me një kujdes të veçantë rreziqet që përmbante operacioni i Mazie Batit. Ajo është e mendimit se, duke pasur parasysh karakterin haptazi të paligjshëm të keqtrajtimeve dhe të vrasjes së nëntë fshatarëve në rrethanat, e përcaktuara, të operacionit të kryer më 27 maj 1944 (paragrafët 15-20 të mësipërm), edhe gjykimi më sipërfaqësor nga ana e paditësit do t’i kishte treguar të interesuarit që, më së paku, veprimet në fjalë rrezikonin të shkelnin ligjet e zakonet e luftës ashtu siç interpretoheshin ato në atë kohë dhe, veçanërisht, të gjykoheshin se përbënin krime lufte për të cilat, në cilësinë e tij si komandant, ai mund të ngarkohej me përgjegjësi penale individuale.
239. Për këto arsye, Gjykata e sheh të arsyeshme të dalë në përfundimin se paditësi mund ta parashikonte më 1944 se veprimet që janë objekt i kësaj çështjeje do të cilësoheshin si krime lufte.
240. Për sa i përket pikës së dytë të ngritur nga paditësi, Gjykata shënon se Letonia e ka shpallur pavarësinë e saj më 1990 dhe 1991, se Republika e re e Letonisë është anëtarësuar menjëherë në instrumentet e ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (veçanërisht në Konventën e vitit 1968 më 1992) dhe se më 1993 ajo e ka përfshirë nenin 68 § 3 në Kodin Penal të vitit 1961.
241. Ajo rikujton se është legjitime dhe e pritshme që një shtet i cili vjen pas një tjetri të nisë ndjekje penale kundër personave që janë bërë fajtorë për krime nën një regjim të mëparshëm dhe juridiksionet e një shteti të tillë pasues nuk mund të qortohen pse i zbatojnë dispozitat ligjore që ishin në fuqi në kohën e ngjarjeve nën regjimin e mëparshëm dhe i interpretojnë ato në dritën e normave që rregullojnë çdo shtet të së drejtës, duke pasur parasysh parimet themelore ku mbështetet mekanizmi i Konventës. Kjo vlen në veçanti kur çështja e konfliktit ka të bëjë me të drejtën për jetën, vlerën më të lartë në Konventë dhe në hierarkinë e të drejtave të njeriut në rrafshin ndërkombëtar, të cilën shtetet kontraktuese kanë detyrimin parësor për ta mbrojtur në zbatim të Konventës. Ashtu sikurse ligjet dhe zakonet e luftës i detyrojnë shtetet të nisin ndjekje penale, neni 2 i Konventës i detyron shtetet të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës së personave që kanë nën juridiksionin e tyre, çka nënkupton detyrën parësore për të siguruar të drejtën për jetën duke ngritur një legjislacion penal që i bind individët të mos kryejnë cenime kundër jetës së personave (Streletz, Kessler dhe Krenz, §§ 72 e 79-86, dhe K.-H.W., §§ 66 e 82-89, të dy të cituar më lart). Është e mjaftueshme, për qëllimet e çështjes në fjalë, që të shënohet se parimet e lartpërmendura janë të zbatueshme në një ndërrim regjimi si ai që ka ndodhur në Letoni pas shpalljeve të pavarësisë më 1990 e 1991 (paragrafët 27-29 dhe 210 të mësipërm).
242. Për sa i përket mbështetjes që paditësi paska gëzuar gjithmonë pas vitit 1944 nga ana e autoriteteve sovjetike, Gjykata çmon se ky argument nuk ka të bëjë me çështjen juridike nëse i interesuari mund ta parashikonte apo jo më 1944 që veprimet në fjalë do të gjykoheshin se përbënin krime lufte.
243. Për rrjedhojë, Gjykata është e mendimit se ndjekjet penale të drejtuara kundër paditësit (dhe dënimi i mëvonshëm i të interesuarit) nga ana e Republikës së Letonisë mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare në fuqi në kohën e kryerjes së veprimeve që janë objekt i kësaj çështjeje nuk ishin të paparashikueshme.
244. Në dritën e tërë konsideratave që paraprijnë, Gjykata del në përfundimin se, në kohën kur janë kryer, veprimet e paditësit përbënin vepra penale të përkufizuara me kuptueshmëri e parashikueshmëri të mjaftueshme nga ligjet dhe zakonet e luftës.
D. Përfundimet e Gjykatës
245. Për të gjitha arsyer e paraqitura më lart, Gjykata çmon se dënimi i paditësit për krime lufte nuk ka përmbajtur shkelje të nenit 7 § 1 të Konventës.
246. Nuk është pra me vend që ky dënim të shqyrtohet nën këndvështrimin e nenit 7 § 2.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Rrëzon, njëzëri, kërkesën e paditësit që synon shqyrtimin e ankesave të shpallura si të papranueshme nga dhoma;
2. Thotë, me katërmbëdhjetë vota në favor e tri kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 7 të Konventës;
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 17 maj 2010.
Michael O’BoyleJean-Paul Costa
ZëvendëssekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i përbashkët për gjyqtarët Rozakis, Tulkens, Spielmann dhe Jebens ;
– – mendim kundërshtues i gjyqtarit Costa, me të cilin bashkohen gjyqtarët Kalaydjieva dhe Poalelungi.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Procès des grands criminels de guerre devant le Tribunal militaire international, Nuremberg, 14 nëntor 1945-1 tetor 1946, botuar në Nuremberg, Gjermani, 1947, Vëllimi XXII, f. 494.
[2]. G. Mettraux, US Courts-Martial and the Armed Conflict in the Philippines (1899-1902): Their Contribution to the National Case Law on War Crimes, Journal of International Criminal Justice 1 (2003), f. 135-150, dhe çështjet që citohen aty.
[3]. Vendim i çështjes Togerët Dithmar e Boldt, anija spital “Llandovery Castle”, 16 korrik 1921.
[4]. Dadrian, Vahakn N., Genocide as a Problem of National and International Law: The World War I Armenian Case and Its Contemporary Legal Ramifications, Yale Journal of International Law, 14, 1989, f. 221-334.
[5]. History of the United Nations War Crimes Commission and the Development of the Laws of War, His Majesty’s Stationery, Londër 1948, f. 91.
[6]. Bassiouni, Cherif, L’expérience des premières juridictions pénales internationales, në Ascensio Hervé, Decaux Emmanuel e Pellet Alain, Droit international pénal, Pedone, Paris 2000, f. 635-659, f. 640 e vijim.
[7]. Shih, sidomos, notat diplomatike të 7 nëntorit 1941, 6 janarit 1942 dhe 27 prillit 1942.
[8]. Ginsburgs George, “The Nuremberg Trial: Background”, në Ginsburgs George & Kudriavtsev V. N., The Nuremberg Trial and International Law, Martinus Nijhoff Publishers, Dordrecht, 1990, f. 9-37, f. 20 e vijim.
[9]. Kladov, I.F., The People’s Verdict: A Full Report of the Proceedings at the Krasnodar and Kharkov German Atrocity Trials, London, New York [etj.] Hutchinson & Co., Ltd. (1944), f. 113 e vijim.
[10]. Ginsburgs, 1990, vep. cit., f. 28 e vijim.
[11]. Ginsburgs G., Moscow and International Legal Cooperation in the Pursuit of War Criminals, 21 Review of Central and East European Law (1995), No 1, f. 1-40, f. 10.
[12]. Procès des grands criminels de guerre devant le Tribunal militaire international, Nuremberg, 14 nëntor 1945-1 tetor 1946, botuar në Nuremberg, Gjermani, 1947.
[13]. The United States of America vs. Wilhelm List, et al., UNWCC, Law Reports of Trials of War Criminals (“LRTWC”), Volumi VIII, 1949 (“çështja e pengjeve”).
[14]. Procesi i Shigeru Ohashi dhe Ors, Gjykata Ushtarake australiane 1946, LRTWC, Volumi V; Procesi i Yamamoto Chusaburo, Gjykata Ushtarake britanike, 1946 LRTWC, Volumi III; Procesi i Eikichi Kato, Gjykata Ushtarake australiane 1946, LRTWC, Volumi I; Procesi i Eitaro Shinohara dhe Ors, Gjykata Ushtarake australiane 1946, LRTWC, Volumi V; Re Yamashita 327 U.S. 1 (1946); Procesi i Karl-Hans Hermann Klinge, Gjykata e Lartë norvegjeze 1946, LRTWC, Volumi III; Procesi i Franz Holstein me të tjerë, Gjykata Ushtarake franceze 1947, LRTWC, Volumi VIII; Procesi i Otto Skorzeny me të tjerë, Gjykata Ushtarake amerikane 1947, LRTWC, Volumi IX; Çështja Dostler, Komisioni Ushtarak amerikan 1945, LRTWC Volumi I; Procesi Almelo, Gjykata Ushtarake britanike 1945, LRTWC Volumi I; Çështja Dreierwalde, Gjykata Ushtarake britanike 1946, LRTWC Volumi I; Çështja Abacia Ardenë, Gjykata Ushtarake kanadeze 1945, LRTWC Volumi IV; Procesi i Bauer, Schrameck e Falten, Gjykata Ushtarake franceze 1945, LRTWC Volumi VIII; Procesi i Takashi Sakai, Gjykata Ushtarake kineze 1946, LRTWC Volumi III; Procesi i Hans Szabados, Gjykata Ushtarake e Përhershme franceze 1946, LRTWC Volumi IX; Procesi i Franz Schonfeld me të tjerë, Gjykata Ushtarake britanike 1946, LRTWC Volumi XI (datat janë ato të procesit ose të shpalljes së vendimit).
[15]. Dispozitat të cilave u referohet ky tekst kanë të bëjnë me të drejtën për statusin e robit të luftës dhe e përkufizojnë nocionin e forcave të armatosura.
[16]. Shih Oppenheim & Lauterpacht (1944), Oppenheim’s International Law vol. II: Disputes War and Neutrality, 6th ed. Longmans Green and Co.: London, f. 454, cituar dhe marrë si provë në çështjen Shigeru Ohashi me të tjerë, cituar në paragrafin 129 të mësipërm.
[17]. Shih çështjen e pengjeve, të cituar në paragrafët 125-128 të mësipërm.
[18]. Kodi Lieber (neni 51), projekti i Deklaratës së Brukselit të vitit 1874 (neni 10), Manuali i Oksfordit i vitit 1880 (neni 2.4) dhe Rregullorja e Hagës e vitit 1907 (neni 2).
[19]. Kodi Lieber i vitit 1863 (nenet 49, 57 dhe 63-65), projekti i Deklaratës së Brukselit i vitit 1874 (neni 9) dhe Manuali i Oksfordit i vitit 1880 (neni 2).
[20]. Neni 1 i Rregullores së Hagës të vitit 1907 (paragrafi 89 i mësipërm).
[21]. GjUN-ja e Nurembergut gjykoi se Rregullorja e Hagës e vitit 1907 duhej të konsiderohej se përfaqësonte, gjithsesi më 1939, shprehjen e kodifikuar të ligjeve dhe të zakoneve të luftës (paragrafët 88 e 118 të mësipërm dhe 207 i mëposhtëm).
[22]. Kodi Lieber i vitit 1863 (neni 65).
[23]. Kodi Lieber i vitit 1863 (neni 57).
[24]. Shih, në veçanti, Kodin Lieber të vitit 1863 (nenet 16, 63, 65 dhe 101), projektin e Deklaratës së Brukselit të vitit 1874 (neni 13 b) dhe f)), Manualin e Oksfordit të vitit 1880 (neni 8 b) dhe d)) dhe Rregulloren e Hagës të vitit 1907 (neni 23 b) dhe f)). Shih gjithashtu çështjen Otto Skorzeny me të tjerë, të cituar në paragrafin 129 të mësipërm, e cila përsërit dhe merr si provë përkufizimin e dhënë nga Oppenheim & Lauterpacht (1944), f. 335.
[25]. Shih “të drejtën e Gjenevës” (paragrafët 53-62 të mësipërm), Kodin Lieber të vitit 1863 (nenet 49, 76 e 77), projektin e Deklaratës së Brukselit të vitit 1874 (nenet 23 e 28), Manualin e Oksfordit të vitit 1880 (neni 21 dhe kapitulli III), Rregulloren e Hagës të vitit 1907 (kapitulli II e, sidomos, neni 4), Raportin e Komisionit Ndërkombëtar të vitit 1919, Kartën e GjUN-së së Nurembergut (neni 6 b)), dhe Ligjin nr. 10 për Këshillin e Kontrollit Aleat (neni 2).
[26]. Çështja e pengjeve, Re Yamashita dhe Procesi i Takashi Sakai, të cituar në paragrafët 125‑129 të mësipërm.
[27]. Projekti i Deklaratës së Brukselit i vitit 1874 (neni 28), Manuali i Oksfordit i vitit 1880 (neni 68) dhe Rregullorja e Hagës e vitit 1907 (neni 8).
[28]. Ligjshmëria e kërcënimit ose e përdorimit të armëve bërthamore, mendim këshillimor i 8 korrikut 1996, GjND §§ 74-87.
[29]. Kodi Lieber i vitit 1863 (neni 22), Manuali i Oksfordit i vitit 1880 (neni 1), projekti i Deklaratës së Brukselit i vitit 1874 (neni 9) dhe projektet e Konventave të Tokios dhe të Amsterdamit të viteve 1934 e 1938 (neni 1 i të dy teksteve). Shih gjithashtu Manuali i ushtrive në fushim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Rregullore e luftës në tokë, § 8, 1 tetor 1940, dhe ex parte Quirin, 317, U.S. 1(1942).
[30]. Ex Parte Milligan 71 U.S. 2(1866); Oppenheim & Lauterpacht (1944), f. 277 (“(...) parimi sipas të cilit personat privatë armiq nuk duhet as të vriten, as të sulmohen, është bërë një rregull zakonor i pranuar në mënyrë të përbotshme i të drejtës së njerëzve në shekullin XVIII. Për aq sa këta persona nuk marrin pjesë në luftim, ata nuk mund të sulmohen, të vriten ose të plagosen drejtpërdrejt”).
[31]. Lidhur me të drejtën për një proces përpara dhënies së një ndëshkimi për krime lufte, shih çështjen e pengjeve. Lidhur me të drejtën për të gjykuar robër lufte për krime lufte, shih Konventën e Gjenevës të vitit 1929 (neni 46). Për sa i përket të drejtës së spiunëve të pandehur për të përfituar një proces, shih projektin e Deklaratës së Brukselit të vitit 1874 (neni 20), Manualin e Oksfordit të vitit 1880 (nenet 23-26), Rregulloren e Hagës të vitit 1907 (nenet 29-31) dhe Manualin e ushtrive në fushim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Rregullore e luftës në tokë, 1940, f. 60. Lidhur me të drejtën për një proces në rast akuzash për tradhti në luftë, shih Manuali i ushtrive në fushim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Rregullore e luftës në tokë, 1940, p. 59. Lidhur me praktikën në fuqi në atë kohë, shih Ex parte Quirin, proceset e Krasnodarit si edhe proceset e Shigeru Ohashi me të tjerë, Yamamoto Chusaburo, Eikichi Kato dhe Eitaro Shinohara me të tjerë (të cituar në paragrafët 106-110, 114 dhe 129 të mësipërm).
[32]. Shih, në veçanti, titullin e Konventës së Hagës të vitit 1907, nenin 6 b) të Statutit të GjUN-së së Nurembergut, nenin 5 b) të Statutit të GjUN-së së Tokios dhe vendimet e këtyre gjykatave. Shih gjithashtu Oppenheim & Lauterpacht (1944), f. 451; dhe Lachs (1945), War Crimes – An Attempt to Define the Issues, Stevens & Sons London, f. 100 e vijim.
[33]. Sidomos nenet 47, 59 dhe 71.
[34]. Lauterpacht (1944), “The Law of Nations and the Punishment of War Crimes”, 21 BYIL, f. 58-95, f. 65 e vijim, dhe Kelsen (1945), “The rule against Ex Post Facto Laws and the Prosecution of the Axis War Criminals”, 2 The Judge Advocate Journal, f. 8-12, f. 10.
[35]. Shih gjithashtu nenin 2 b) të Ligjit nr. 10 të Këshillit të Kontrollit Aleat dhe çështjen e pengjeve, të cituar në paragrafët 125-128 të mësipërm.
[36]. Shih, për shembull, nenin 3 të Konventës së Hagës të vitit 1907.
[37]. Traktati i Versajës (neni 229), Deklarata e Moskës e vitit 1943 dhe procesi i Harkovit, Marrëveshja e Londrës e vitit 1945 (neni 6) dhe Parimet e Nurembergut (nr. II). Shih gjithashtu gjykatat ushtarake amerikane në Filipine, sidomos procesin e Togerit Brown, çështjen Llandovery Castle dhe procesin e Karl Hans Herman Klinge, të cituar në paragrafët 97-100, 102 e 129 të mësipërm, Lauterpacht (1944), f. 65, Kelsen (1945) f. 10-11, Lachs (1945) f. 8, f. 22, f. 60 e vijim, dhe G. Manner, The Legal Nature and Punishment of Criminal Acts of Violence contrary to the Laws of War, AJIL vol. 37, nr. 3 (korrik, 1943), f. 407-435.
[38]. Meron, T. (2006), Reflections on the Prosecution of War Crimes by International Tribunals, AJIL, vol. 100, f. 558.
[39]. G. Mettraux, US Courts-Martial and the Armed Conflict in the Philippines (1899‑1902): Their Contribution to the National Case Law on War Crimes, Journal of International Criminal Justice (2003), 1, f. 135-150.
[40]. Deklarata e Seint Xhejmsit e vitit 1942 (sidomos neni 3); Nota diplomatike të BRSS-së të viteve 1941-1942 dhe dekreti i BRSS-së i 2 nëntorit 1942; Deklarata e Moskës e vitit 1943 dhe Marrëveshja e Potsdamit.
[41]. Krijimi i UNWCC-së më 1943, Marrëveshja e Londrës e vitit 1945 (neni 6), vendimi i GjUN-së së Nurembergut dhe Parimet e Nurembergut (Parimi II).
[42]. Paragrafët 106-110 të mësipërm (“Ndjekja penale e krimeve të luftës nga BRSS-ja”, veçanërisht proceset e Krasnodarit dhe të Harkovit) dhe paragrafi 114 i mësipërm (ex parte Quirin).
[43]. Paragrafët 123-129 të mësipërm.
[44]. Lachs (1945), f. 100 e vijim, çështja e pengjeve, e cituar në paragrafët 125-128 të mësipërm.
[45]. Re Yamashita dhe Procesi i Takashi Sakai-t, të cituar në paragrafin 129 të mësipërm.
[46]. German War Trials: Judgment in the Case of Emil Müller, AJIL, vol. 16 (1922) Nr. 4, f. 684-696.
[47]. Deklarata e Seint Xhejmsit e vitit 1942 (neni 3), Deklarata e Moskës e vitit 1943, Marrëveshja e Potsdamit, Marrëveshja e Londrës e vitit 1945 (hyrje), Statuti i GjUN-së së Nurembergut (neni 6) dhe Statuti i GjUN-së së Tokios (neni 5 c)).
[48]. Procesi i Takashi Sakai-t, i cituar në paragrafin 129 të mësipërm, Ligji nr. 10 i Këshillit të Kontrollit Aleat (neni 2 § 2) i zbatuar në çështjen e pengjeve, dhe çështja Re Yamashita e cituar më lart.
[49]. Prokurori k. Delalić me shokë, IT-96-21-A, vendim i 20 shkurtit 2001, § 195, Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GjPNJ), D. Sarooshi (2001), Command Responsibility and the Blaškić Case, International and Comparative Law Quarterly, vol. 50, Nr. 2 f. 460; Prokurori k. Blaškić, IT-95-14-T, vendim i 3 marsit 2000, § 290, Dhoma e shkallës së parë e GjPNJ-së.
[50]. Neni 7 § 3 i Statutit të GjPNJ-së, neni 6 i Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare për Ruandën, neni 25 i Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe neni 6 i Statutit të Gjykatës së Posaçme për Sierra Leonen.
[51]. Kodi Lieber (neni 47), Manuali i Oksfordit i vitit 1880 (neni 84), Lauterpacht (1944), f. 62, dhe Lachs (1945), f. 63 e vijim.
[52]. Çështja e kanalit të Korfuzit, vendim i 9 prillit 1949, GjND Përmbledhje 1949, f. 4-22. Shih gjithashtu Manuali i ushtrive në fushim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (përshkrimin e “parimeve themelore”).
[53]. Ligjshmëria e kërcënimit ose e përdorimit të armëve bërthamore, mendim i cituar më lart, §§ 74-87.
[54]. Ligjshmëria e kërcënimit ose e përdorimit të armëve bërthamore, mendim i cituar më lart, §§ 74-87. Shih, më në veçanti, Kodin Lieber të vitit 1863 (nenet 15 et 16), Deklaratën e Shën-Petërburgut të vitit 1868 (hyrje), Manualin e Oksfordit të vitit 1880 (parathënie dhe neni 4), Konventën e Hagës të vitit 1907 (hyrje).
[55]. Ligjshmëria e kërcënimit ose e përdorimit të armëve bërthamore, mendim i cituar më lart, § 87, Prokurori k. Kupreškić me shokë (IT-95-16-T, vendim i 14 janarit 2000, §§ 521-536, Dhoma e shkallës së parë e GjPNJ-së, dhe Pasojat juridike të ndërtimit të një muri në territorin e pushtuar palestinez, mendim këshillimor i 7 korrikut 2004, GjND Përmbledhje 2004, § 157.
[56]. Shih, në veçanti, Kodi Lieber i vitit 1863 (neni 71), Deklarata e Shën-Petërburgut e vitit 1868, projekti i Deklaratës së Brukselit (nenet 13 c) dhe 23), Manuali i Oksfordit i vitit 1880 (neni 9 b)), Rregullorja e Hagës e vitit 1907 (neni 23 c)). Shih gjithashtu Procesi i Komandantit Waller, i cituar në paragrafin 98 të mësipërm, dhe neni 41 i Protokollit Shtesë të vitit 1977.
[57]. Shih, në veçanti, nenin 3 të Konventës së Gjenevës të vitit 1929.
[58]. Kodi Lieber i vitit 1863 (nenet 15, 16 dhe 38), projekti i Deklaratës së Brukselit i vitit 1874 (neni 13 g)), Manuali i Oksfordit i vitit 1880 (neni 32 b)), Rregullorja e Hagës e vitit 1907 (neni 23 g)), Raporti i Komisionit Ndërkombëtar i vitit 1919, neni 6 b) i Statutit të GjUN-së së Nurembergut dhe Ligji nr. 10 për Këshillin e Kontrollit Aleat (neni 2). Shih gjithashtu procesin e Hans Szabados, të cituar më lart, dhe Oppenheim & Lauterpacht (1944), f. 321.
[59]. Manuali i Oksfordit i vitit 1880 (neni 84), projekti i Konventës së Tokios i vitit 1934 (nenet 9 dhe 10), Manuali i ushtrive në fushim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Rregullore e luftës në tokë, 1940, Çështja e pengjeve dhe Procesi i Eikichi Kato, të cituar në paragrafët 125-129 të mësipërm, dhe çështja Kupreškić me shokë, e cituar më lart. Shih gjithashtu Oppenheim & Lauterpacht (1944), f. 446-450.
[60]. Parimet themelore të së drejtës penale dhe të procedurës penale të BRSS-së, 1924, dhe Ancel M., “Les Codes pénaux européens”, Tome IV, Paris, CFDC, 1971.
[61]. Veçanërisht Deklarata e Seint Xhejmsit e vitit 1942, Deklarata e Moskës e vitit 1943, dhe Statutet e GjUN-së së Nurembergut e të Tokios.
[62]. Hyrja e Konventës së vitit 1968.
[63]. Komisioni i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara (1966) Question de l’imprescriptibilité des crimes de guerre et des crimes contre l’humanité: Étude soumise par le Secrétaire général, UN Doc. E/CN.4/906 f. 100, f. 104; Konventa e vitit 1968; Robert H. Miller “The Convention on the Non-Applicability of Statutory Limitations to War Crimes and Crimes Against Humanity”, AJIL, vol. 65, Nr. 3 (korrik 1971), f. 476‑501, me referenca të tjera; Konventa e vitit 1974; Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare; dhe Kok R. (2001) “Statutory Limitations in International Criminal Law”, Cambridge University Press, f. 357-382.
Full & Egal Universal Law Academy