© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 150
Mars 2012
Konstantin Markin k. Rusisë [DhM] - 30078/06
Vendim 22.3.2012 [DhM]
Neni 14
Diskriminimi
Dallim në trajtim midis personelit ushtarak i bërë mbi bazën e gjinisë, lidhur me të drejtën për lejen prindërore: shkelje
Faktet – Në të drejtën ruse, baballarët dhe nënat që punojnë në sektorin civil kanë të drejtë për një leje prindërore trevjeçare për t’u kujdesur për fëmijët e tyre të mitur si edhe për një ndihmë financiare mujore gjatë një pjese të kësaj periudhe. Kjo e drejtë u jepet gjithashtu shprehimisht edhe ushtarakeve të gjinisë femërore, por jo ushtarakëve të gjinisë mashkullore. Paditësi, një burrë i shkurorëzuar që punon në ushtri si radist në fushën e zbulimit, kërkoi një leje prindërore trevjeçare për të rritur tre fëmijët e lindur nga martesa e tij, por kjo nuk iu pranua me arsyetimin se ligji nuk e lejonte që atij t’i jepej një leje e tillë. Më vonë, eprorët e tij i dhanë një leje prindërore prej rreth dy vjetësh si edhe një ndihmë financiare për arsye të vështirësive të tij familjare. Ai iu drejtua megjithatë Gjykatës Kushtetuese me një ankesë ku pretendonte se legjislacioni në fuqi ishte i papajtueshëm me parimin e barazisë të shpallur në Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e paditësit, duke gjykuar se ndalimi që u bëhej ushtarakëve të gjinisë mashkullore për të marrë një leje prindërore rridhte nga statusi i posaçëm juridik i ushtarakëve dhe nga nevoja për të shmangur që një numër tepër i madh ushtarakësh të gjenden në pamundësi për t’i ushtruar funksionet e tyre. Ajo vërejti se ushtarakët i merrnin përsipër me dashje detyrimet e lidhura me statusin e tyre prej ushtaraku dhe kishin të drejtë për një largim të parakohshëm në qoftë se vendosnin që të kujdeseshin vetë për fëmijët e tyre. Ajo saktësoi se e drejta për lejen prindërore u ishte dhënë përjashtimisht ushtarakeve të gjinisë femërore duke pasur parasysh përfaqësimin e dobët të grave në gjirin e ushtrisë dhe rolin e posaçëm shoqëror që u përkiste grave në lidhje me amësinë.
Me një vendim të 7 tetorit 2010 (shih Shënimin informativ nr. 134), një dhomë e Gjykatës ka dalë, me gjashtë vota në favor e një kundër, në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës.
Ligji – Neni 14 i bashkuar me nenin 8: Leja prindërore dhe ndihma financiare përkatëse hyjnë në fushën e zbatimit të nenit 8, sepse favorizojnë jetën familjare dhe kanë medoemos njëfarë ndikimi në organizimin e saj. Për rrjedhojë, neni 14, i bashkuar me nenin 8, gjen vend për zbatim. Burrat ndodhen në një situatë analoge me atë të grave për sa i përket lejes prindërore dhe ndihmës financiare të lejes prindërore (por jo për sa i përket lejes së barrëlindjes). Nga kjo rrjedh se, për qëllimet e lejes prindërore, paditësi, ushtarak i gjinisë mashkullore, ndodhej në një situatë analoge me atë të ushtarakeve të gjinisë femërore. Mbetet për t’u përcaktuar nëse ky dallim në trajtim midis ushtarakëve të të dyja gjinive mbështetej në ndonjë përligjje objektive dhe të arsyeshme.
Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se përparimi drejt barazisë gjinore është sot një qëllim i rëndësishëm i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe se një dallim në trajtim mbi bazë gjinie mund të bëhet që të çmohet si i pajtueshëm me Konventën vetëm duke u nisur nga konsiderata shumë të fuqishme. Në veçanti, referimet ndaj traditave, hamendësimeve në përgjithësi apo qëndrimeve shoqërore të shumicës në një vend të caktuar nuk mjaftojnë për të përligjur një dallim të tillë në trajtim.
Gjykata nuk e pranon që, ashtu siç pretendon Qeveria, një dallim i tillë në trajtim të mund të përligjet me rolin e posaçëm shoqëror që luajtkan gratë në edukimin e fëmijëve. Shoqëritë bashkëkohore evropiane janë zhvilluar drejt një ndarjeje më të barabartë të përgjegjësive në fushën e edukimit të fëmijëve midis burrave e grave dhe roli i etërve pranë fëmijëve të vegjël njihet më mirë. Në shumicën e vendeve evropiane, ndër të cilat edhe në Rusi, legjislacioni parashikon tashmë se, në sektorin civil, si burrat ashtu edhe gratë mund të marrin një leje prindërore dhe, në një numër të madh shtetesh anëtare, qoftë ushtarakët e gjinisë mashkullore, qoftë ushtaraket e gjinisë femërore, kanë po ashtu të drejtë për lejen prindërore. Dallimi në trajtim për të cilin bëhet fjalë nuk mund të kuptohet si një masë diskriminimi pozitiv në favor të grave, sepse duket sheshit që ai nuk ka si qëllim që të ndreqë mangësinë nga e cila vuajtkan gratë në shoqëri, por ka si pasojë që i përjetëson shabllonet lidhur me gjininë dhe përbën një mangësi si për karrierën e grave ashtu edhe për jetën familjare të burrave. Me një fjalë, ndarja tradicionale e roleve midis gjinive në shoqëri nuk mund të shërbejë për të përligjur përjashtimin e burrave, duke përfshirë edhe ata që punojnë në ushtri, nga e drejta për lejen prindërore.
Gjykata nuk bindet gjithashtu nga argumenti i Qeverisë kur kjo thotë se shtrirja e së drejtës për lejen prindërore edhe tek ushtarakët e gjinisë mashkullore e dëmtuaka fuqinë luftarake dhe efektshmërinë operative të forcave të armatosura. Autoritetet ruse nuk kanë kryer asnjëherë ekspertiza ose studime statistikore për të vlerësuar numrin e ushtarakëve të gjinisë mashkullore që mund të marrin një leje prindërore trevjeçare dhe që kanë dëshirë për ta bërë një gjë të tillë, si edhe për të analizuar pasojat që mund të kenë marrje të tilla lejesh. Statistikat e paraqitura nga Qeveria nuk e mundësojnë nxjerrjen e përfundimeve në këtë drejtim. Thjesht fakti që në moshë për t’u bërë me fëmijë qenkan të gjithë ushtarakët e gjinisë mashkullore nuk mjafton për ta përligjur dallimin e debatuar në trajtim midis burrave dhe grave në ushtri. Pavarësisht nga kjo, Gjykata e pranon se, duke pasur parasysh rëndësinë e ushtrisë për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, disa kufizime ndaj së drejtës për lejen prindërore mund të përligjen, me kusht që ato të mos jenë diskriminuese. Për shembull, mund të përligjet që të përjashtohet nga e drejta për leje prindërore çdo ushtarak, burrë ose grua, i cili, për arsye faktorësh si pozita e tij hierarkike, rrallësia e kualifikimeve të tij teknike apo pjesëmarrja e tij në operacione ushtarake në terren, nuk mund të zëvendësohet me lehtësi në funksionet e tij. Mirëpo, në Rusi, përjashtimi nga e drejta për leje prindërore zbatohet automatikisht për të gjithë ushtarakët e gjinisë mashkullore, pavarësisht nga pozita e tyre në ushtri, nga mundësia për të gjetur një zëvendësues apo nga situata e tyre personale. Për mendimin e Gjykatës, një kufizim i tillë i përgjithshëm e i vetvetishëm, i zbatuar ndaj një grupi personash në varësi të gjinisë së tyre, duhet të konsiderohet se i kapërcen caqet e një hapësire të pranueshme vlerësimi për shtetin.
Paditësi, i cili ishte radist në fushën e zbulimit, mund të zëvendësohej me ushtarakë të gjinisë mashkullore ashtu si edhe me ushtarake të gjinisë femërore. Lidhur me këtë, është domethënës fakti që, në njësinë e tij, vende pune të barasvlershme me të tijin ishin shpesh të zëna nga gra të cilat, në kundërshtim me të, kishin një të drejtë të pakushtëzuar për një leje prindërore trevjeçare. Paditësit i është bërë pra një diskriminim i bazuar te gjinia, dhe kjo pa përligjje objektive ose të arsyeshme. Duke pasur parasysh rëndësinë themelore që ka ndalimi i diskriminimit mbi bazë gjinie, nuk mund të pranohet se, ngaqë është angazhuar në ushtri, paditësi ka hequr dorë nga e drejta e tij për të mos u bërë objekt diskriminimi.
Përfundimi: shkelje (gjashtëmbëdhjetë vota në favor e një kundër).
Neni 34 : Paditësi ankohet se, ndërkohë që padia e tij ishte e papërfunduar pranë Gjykatës Evropiane, atij i ka bërë vizitë në banesë një prokuror, i cili i ka bërë pyetje rreth çështjes së tij. Gjykata thekson se, në parim, nuk është aspak e përshtatshme që autoritetet e shtetit të paditur të vihen në kontakt të drejtpërdrejtë me një paditës lidhur me çështjen për të cilën ky i është drejtuar asaj. Megjithatë, në çështjen në fjalë, asgjë nuk tregon që vizita e prokurorit në banesën e paditësit me qëllimin për të marrë informata të përditësuara rreth situatës së tij familjare të ketë pasur si synim që ta shtynte të interesuarin për ta tërhequr ose ndryshuar kërkesëpadinë e tij apo të ketë pasur në realitet një efekt të tillë. Autoritetet nuk mund të paraqiten pra sikur e kanë penguar paditësin në ushtrimin e së drejtës së tij për ankim individual.
Përfundimi: jo veprim në mospërputhje me nenin 34 (katërmbëdhjetë vota në favor e tri kundër).
Neni 41 : 3 000 EUR për dëm moral.
© Këshilli i Evropës /Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
E hartuar nga sekretaria, kjo përmbledhje nuk e kushtëzon Gjykatën.
Klikoni këtu për të hyrë te Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy