© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I PESTË
ÇËSHTJA KOVATCH k. UKRAINËS
(Kërkesëpadi nr. 39424/02)
VENDIM
STRASBURG
7 shkurt 2008
I FORMËS SË PRERË
07/05/2008
Ky vendim është bërë i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Kovatch k. Ukrainës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Pestë), e mbledhur në një dhomë të përbërë nga:
Peer Lorenzen, kryetar,
Karel Jungwiert,
Volodymyr Butkevych,
Margarita Tsatsa-Nikolovska,
Javier Borrego Borrego,
Renate Jaeger,
Mark Villiger, gjyqtarë,
e nga Claudia Westerdiek, sekretare seksioni,
Pasi e shqyrtoi çështjen në seancë të mbyllur më 15 janar 2008,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të çështjes ndodhet një kërkesëpadi (nr. 39424/02) e drejtuar kundër Ukrainës dhe me anë të së cilës një qytetar i këtij shteti, Z. Mykola Mykolaïovytch Kovatch (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 17 tetor 2002 duke iu referuar nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësi është përfaqësuar nga Znja N. Petrova, avokate në Kiev. Qeveria ukrainase (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj, Z. Youri Zaïtsev.
3. Më 14 shkurt 2006, Gjykata ka vendosur t’ia komunikojë kërkesëpadinë Qeverisë. Siç e lejon neni 29 § 3 i Konventës, ajo ka vendosur t’i shqyrtojë bashkërisht pranueshmërinë dhe thelbin e kërkesës.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
1. Ngjarjet në zanafillë të ankesave të paditësit
4. Paditësi është paraqitur në zgjedhjet legjislative të 31 marsit 2002 në zonën zgjedhore njëemërore nr. 72 (Одномандатний виборчий округ № 72) të oblastit të Transkarpatisë.
5. Mes kandidatëve në garë në këtë zonë ndodhej Z. G., i cili mbante në kohën e ngjarjeve postin e kreut të administratës së distriktit të Beregovës (oblasti i Transkarpatisë) (Берегівська державна адміністрація Закарпатської області).
6. Më datat 13 e 28 mars 2002, gazetat lokale në gjuhë hungareze Bereginfo dhe Karpati Igaz Szo botuan mesazhin e mëposhtëm që u drejtohej të lexuesve:
“Jemi plotësisht të bindur se të gjithë ata që do ta nderojnë [Z. G.] me përkrahjen e tyre ditën e diel, mund t’i besojnë atij me ndërgjegje të qetë dhe të jenë të sigurt se ai do t’i garantojë vendit tonë atë çka është më të mira për të ardhmen. Ai është i vetmi kandidat që i respekton tërë interesat tanë dhe që është i aftë për t’i përfaqësuar e mbrojtur ata në nivelin më të lartë. Është një njeri i veprimit, që nuk do ta zhgënjejë kurrë besimin tuaj e që do të bëjë gjithçka të ketë në dorë për ta ruajtur përkrahjen e plotë të zgjedhësve në të ardhmen.”
7. Ky mesazh shoqërohej me një numër të madh nënshkrimesh, ndër të cilat ato të Znjës D., sekretare e komisionit zgjedhor të zonës (Окружна виборча комісія) nr. 72, dhe të Z. O., kryetar i të njëjtit komision.
8. Zgjedhjet legjislative janë zhvilluar më 31 mars 2002. Gjatë votimit, një vëzhguese, e cila vepronte për llogari të Z. G. në degën zgjedhore nr. 14 të zonës nr. 72, ka hartuar një raport (акт) ku ka vënë në dukje se ka parë një person të paidentifikuar që ka futur në kuti disa fletëvotimi (rreth shtatë, sipas saj). Ky raport është nënshkruar nga dy zgjedhës. Vëzhguesit e Z. G. në degët nr. 45 e 58 kanë hartuar raporte parregullsish të ngjashme, duke vënë në dukje se kanë parë përkatësisht pesë dhe dhjetë fletëvotimi të futura në kuti në mënyrë të paligjshme.
9. Sipas rezultateve të para të nxjerra nga sistemi i informatizuar, paditësi ka marrë 33 567 vota, kundrejt 33 524 që kanë qenë për kundërshtarin e tij kryesor, Z. G. Në degën zgjedhore nr. 14, ai kishte marrë 537 vota ndërsa Z. G. 291, nga një shumë e përgjithshme prej 1 570 votash të shprehura. Në degën nr. 45, 711 zgjedhës nga 1 244 kishin votuar për paditësin dhe 372 për kundërshtarin e tij. Në degën nr. 58, nga një shumë e përgjithshme prej 830 votash, 475 shkonin në favor të paditësit dhe 219 ishin për Z. G. Në degën nr. 67, 765 zgjedhës nga 1 480 të tillë kishin votuar për paditësin dhe 387 për kundërshtarin e tij. Si total, në këto katër degë zgjedhore, paditësi kishte fituar 2 488 vota, kurse Z. G. 1 269.
10. Me vendimin nr. 36 të 2 prillit 2002, komisioni zgjedhor i zonës nr. 72, mbi bazën e raporteve të vëzhguesve të lartpërmendur, i ka zhvlerësuar rezultatet e degëve zgjedhore nr. 14, 45 e 58 për shkelje të rënda të ligjit zgjedhor. Është vërtetuar gjithashtu se, gjatë natës së 1 prillit 2002, pas mbylljes së qendrave të votimit dhe numërimit të votave, anëtarët e komisionit zgjedhor të degës nr. 67, në mënyrë tërësisht të paligjshme, e kishin hapur qendrën e votimit që ishte e mbyllur me vula dhe kishin marrë origjinalet e procesverbaleve të votimit si edhe disa fletëvotimi të pavlefshme; dhe se, të nesërmen, kryetari i këtij komisioni ia kishte sjellë këto procesverbale e fletëvotimi komisionit zgjedhor të zonës nr. 72. Për t’i përligjur këto veprime nuk ishte dhënë asnjë arsye. Rezultatet e votimit janë quajtur atëherë gjithashtu të pavlefshme edhe për degën nr. 67. Po atë ditë, paditësi e ka kundërshtuar këtë vendim pranë Komisionit Zgjedhor Qendror (Центральна виборча комісія, këtu më poshtë, “KZQ”).
11. Me vendimin nr. 37, komisioni zgjedhor i zonës nr. 72 ka shpallur rezultatet përfundimtare të votimit. Sipas këtyre rezultateve që përkonin me ato të vëna në dukje në procesverbalin e parë, por të cilave u zbriteshin votat e shprehura në degët nr. 14, 45, 58 e 67, paditësi kishte fituar 31 079 vota, kundrejt 32 255 që ishin për Z. G. Ky i fundit është shpallur pra si i zgjedhur deputet i zonës.
2. Procedura lidhur me anulimin e votimit në katër degët zgjedhore
12. Më 3 prill 2002, kryetarët dhe anëtarët e komisioneve zgjedhore të degëve nr. 14, 45, 58 e 67 i kanë drejtuar kryetarit të KZQ-së deklarata ku vihej në dukje se, gjatë procesit të votimit apo të numërimit të votave, asnjë nga vëzhguesit zyrtarë nuk ua kishte tërhequr atyre vëmendjen për ndonjë shkeljeje të çfarëdoshme të ligjit zgjedhor dhe saktësohej se dokumentet e përcjella nga ata vëzhgues që ishin ankuar për parregullsi ishin hartuar pas numërimit të votave, “rezultatet e të cilit nuk i vinin për mbarë njërit prej kandidatëve”.
13. Me vendimin nr. 750 të 5 prillit 2002, KZQ-ja, me një ankesë të paditësit që mban datën 2 prill 2002, e ka shfuqizuar vendimin nr. 36 dhe i ka dhënë urdhër komisionit zgjedhor të zonës nr. 72 që të japë një vendim të arsyetuar për rezultatet e votimit në të katër degët në fjalë. Duke iu referuar paragrafit të parë të nenit 70 të ligjit për zgjedhjet legjislative, KZQ-ja ka vërejtur se vendimi i kundërshtuar nuk ishte arsyetuar në mënyrën e duhur dhe se nuk kishte asnjë element bindës që t’i vërtetonte parregullsitë e përfolura apo pretendimet se numri i fletëvotimeve të hedhura në mënyrë të parregullt e kishte kaluar masën 10% të votave të shprehura në secilën nga degët zgjedhore.
14. I mbledhur më 6 prill 2002, komisioni zgjedhor i zonës nr. 72, me një shumicë prej nëntë votash në favor dhe dy kundër (ka pasur edhe tre abstenime), ka marrë vendimet nr. 40 e 41, të cilat e shpallnin të pavlefshëm votimin në degët zgjedhore nr. 14, 45, 58 e 67, për të njëjtat arsye si më parë. Në këto vendime, komisioni ka shënuar se paragrafi i dymbëdhjetë i nenit 72 të ligjit për zgjedhjet legjislative e lejonte shpalljen e pavlefshmërisë së votimit me arsyetimin se “të tjera rrethana [përveç atyre të numëruara në nenin 70 të ligjit] e bë[nin] të pamundur përcaktimin e vullnetit të zgjedhësve”. Përveç kësaj, sipas komisionit, meqë neni 72 nuk i përmendte një për një këto “të tjera rrethana”, vlerësimi i kësaj çështjeje ishte një kompetencë e tij ekskluzive. Në fund, ai ka dalë në përfundimin se parregullsitë e konstatuara prej tij dhe ato që ishin vënë re prej vëzhguesve mund të konsideroheshin si “të tjera rrethana” që e bënin të pamundur përcaktimin e vullnetit të zgjedhësve.
15. Më 9 prill 2002, paditësi ka bërë ankim duke i kundërshtuar vendimet nr. 40 dhe 41 të 6 prillit 2002. Ai ka mbrojtur idenë se komisioni zgjedhor i zonës nr. 72 nuk i kishte ndjekur udhëzimet që i kishte dhënë KZQ-ja me vendimin e datës 5 prill 2002, ku i kishte kërkuar të arsyetonte në mënyrë të mjaftueshme përfundimet e tij.
16. Me vendimin nr. 858 të 12 prillit 2002, Komisioni Zgjedhor Qendror e rrëzoi ankimin e paditësit të datës 9 prill 2002, me arsyetimin se, sipas nenit 72 të ligjit për zgjedhjet legjislative, i takonte komisionit zgjedhor të zonës që të vendoste nëse ka pasur “të tjera rrethana” që e bënin të pavlefshëm votimin.
17. Paditësi e kundërshtoi këtë vendim pranë Gjykatës së Lartë, e cila, më 24 prill 2002, i la në fuqi përfundimet e KZQ-së, duke përfshirë edhe atë lidhur me kompetencën ekskluzive të komisioneve zgjedhore të zonave për të vendosur nëse ka pasur “të tjera rrethana” të parashikuara në nenin 72 të ligjit të vitit 2001 për zgjedhjet legjislative.
3. Procedura lidhur me ankime të tjera për shkelje të ligjit zgjedhor
18. Më 3 prill 2002, Z. V., vëzhgues për paditësin, hartoi, në prani të disa vëzhguesve për kandidatë të tjerë si edhe të kryetarit e të dy anëtarëve të komisionit zgjedhor të zonës nr. 72, një raport ku parashtroheshin disa parregullsi. Sipas autorëve të këtij raporti, kushtet që mbizotëronin në zyrën e komisionit zgjedhor, të ndodhur në katin nëndhes të godinës së administratës në Beregovë, nuk e bënin të mundur garantimin e sigurisë dhe të paprekshmërisë së fletëvotimeve. Ata parashtronin në veçanti se dyert dhe raftet nuk ishin mbyllur me vula dhe se njëra prej dyerve nuk kishte as bravë.
19. Më 5 prill 2002, paditësi e ka kundërshtuar pranë KZQ-së vendimin nr. 37 të datës 2 prill 2002, nëpërmjet të cilit Z. G. ishte shpallur fitues i zgjedhjeve në zonën nr. 72.
20. Më 7 prill 2002, pas vendimit nr. 750 të KZQ-së (paragrafi 13 i mësipërm), është kryer rinumërimi i votave në degët zgjedhore nr. 14, 45, 58 e 67. Po atë ditë, në përfundim të numërimit, komisioni zgjedhor i zonës nr. 72 ka hartuar një procesverbal të hollësishëm, duke njoftuar rezultatet e votimit në zonë, të cilat ishin të njëjta me ato që paraqiteshin në vendimin nr. 37.
21. Po më 7 prill, një anëtar i komisionit zgjedhor të zonës dhe dy vëzhgues për dy nga kandidatët e pazgjedhur kanë hartuar një memorandum drejtuar KZQ-së, në të cilin ata pohonin se komisioni zgjedhor i degës nr. 67 nuk i kishte mbyllur me vulë arkat ku ndodheshin fletëvotimet, se disa fletëvotime ishin dëmtuar dhe se, duke pasur parasysh këto elemente, nuk përjashtohej dot mundësia që persona të tretë t’i kishin prekur fletëvotimet para rinumërimit.
22. Më 14 prill 2002, komisioni zgjedhor i zonës nr. 72 ka hartuar një procesverbal korrigjues votimi (paragrafi 27 i mëposhtëm), ku njoftoheshin rezultatet e votimit.
23. Po atë ditë, tre nga anëtarët e komisionit zgjedhor të degës nr. 67 si edhe nënkryetari i tij kanë hartuar një memorandum drejtuar KZQ-së. Ata deklaronin aty se, në mënyrë tërësisht të paligjshme, nënkryetari dhe sekretarja e komisionit zgjedhor të zonës, të shoqëruar prej katër personash nga këshilli bashkiak dhe nga administrata kombëtare, të cilët qëllonte të ishin edhe vëzhgues për Z. G., u kishin shkuar në shtëpi për t’u kërkuar që të nënshkruanin procesverbalin korrigjues të datës 14 prill 2002. Autorët e memorandumit shprehnin dyshime lidhur me saktësinë e shifrave të paraqitura në atë procesverbal.
24. Më 15 prill 2002, procesverbalet korrigjues të votimit i janë dërguar KZQ-së.
25. Më 16 prill 2002, paditësi i është drejtuar KZQ-së për t’i kërkuar që ta shpallë të pavlefshëm procesverbalin e 14 prillit 2002. Duke rikujtuar mesazhin drejtuar lexuesve, të botuar më 13 dhe 28 mars 2002 në gazetat Bereginfo dhe Karpati Igaz Szo, ai i fajësonte kryetarin dhe sekretaren e komisionit se kishin bërë fushatë për kundërshtarin e tij. Ai ka shënuar gjithashtu se kushtet e ruajtjes së fletëvotimeve dhe hartimi i një procesverbali të ri votimi hidhnin dyshim mbi saktësinë e rezultateve të nxjerra pas rinumërimit më 7 prill 2002.
26. Në një letër drejtuar KZQ-së më 18 prill 2002, komisioni zgjedhor i zonës nr. 72 ka vënë në dukje se zyra e tij kishte qenë e mbrojtur siç duhej, në përputhje me udhëzimet e policisë rajonale të Transkarpatisë (ГУ МВС України в Закарпатський області), dhe se aty nuk ishte konstatuar asnjë hyrje e paligjshme.
27. Me një vendim të 18 prillit 2002, KZQ-ja, pasi i ka shqyrtuar ankimet e bëra nga paditësi më 5 dhe 16 prill 2002, i ka hedhur poshtë ato. Ajo ka shënuar se procesverbali korrigjues i 14 prillit 2002 ndreqte një mangësi të procesverbalit të votimit të hartuar pas rinumërimit të datës 7 prill, i cili nuk e përmendte numrin e fletëvotimeve të pavlefshme; se vendimi nr. 37 i 2 prillit 2002 ishte i rregullt e i vlefshëm, përderisa, sipas procesverbalit korrigjues të votimit, Z. G. kishte fituar numrin më të lartë të votave; se, përveç kësaj, asgjë nuk tregonte që mënyra se si ishte organizuar rinumërimi ta kishte komprometuar saktësinë e rezultateve të votimit, duke pasur parasysh letrën e 18 prillit 2002 të komisionit zgjedhor të zonës nr. 72 lidhur me sigurinë e zyrës së tij; dhe se, së fundi, ankuesi nuk kishte treguar asnjë arsye të parashikuar nga ligji për zgjedhjet legjislative, e cila ta përligjte mënjanimin e kryetarit dhe të sekretares nga komisioni zgjedhor i zonës nr. 72.
28. Paditësi e ka kundërshtuar këtë vendim pranë Gjykatës së Lartë, e cila e ka rrëzuar kërkesën e tij me një vendim të datës 22 prill 2002, duke gjykuar se KZQ-ja, në vendimin e marrë më 18 prill 2002, nuk i kishte tejkaluar kompetencat e veta dhe kishte respektuar të drejtën e brendshme që zbatohej në atë rast.
II. E DREJTA E BRENDSHME NË LIDHJE ME ÇËSHTJEN
A. Kushtetuta ukrainase
29. Neni i Kushtetutës që ka lidhje me çështjen thotë:
“Neni 76
(...) Një qytetar ukrainas që e ka mbushur moshën njëzet e një vjeç ditën e zgjedhjeve ka të drejtë vote dhe, në rast se është që prej pesë vjetësh me qëndrim në territorin kombëtar, mund të zgjidhet deputet (...)”
B. Ligji për zgjedhjet legjislative i 18 tetorit 2001 (në fuqi në kohën e ngjarjeve)
30. Në momentin e ngjarjeve, sistemi zgjedhor ukrainas përcaktohej nga neni i parë i këtij ligji. Bëhej fjalë për një sistem proporcional të përzier, ku 225 nga 450 deputetët e Verkhovna Rada-s (parlamenti njëdhomësh ukrainas) zgjidheshin me votim njëemëror me shumicë të thjeshtë votash e me një tur (Soukhovetski k. Ukrainës, nr. 13716/02, GjEDNj 2006‑...), kurse 225 vendet e mbetura ishin për kandidatët e zgjedhur sipas listave shumemërore (Melnitchenko k. Ukrainës, nr. 17707/02, GjEDNj 2004‑X).
31. Sipas nenit 18 të ligjit, sistemi i komisioneve zgjedhore përfshinte KZQ-në, komisionet zgjedhore të zonave dhe ato të degëve zgjedhore. Çdo zonë zgjedhore ndahej në degë.
32. Neni 29 i ligjit përcaktonte se kandidatët në zgjedhje mund t’i kundërshtonin vendimet, veprimet ose mosveprimet e komisioneve zgjedhore pranë komisioneve zgjedhore eprore ose pranë gjykatave. Në rast rekursi të tillë, me vendim gjykate ose edhe me nismën e vet, komisioni zgjedhor epror mund ta hidhte poshtë vendimin e komisionit vartës dhe a) të merrte një vendim të ri ose b) ta urdhëronte komisionin në fjalë për ta rishqyrtuar çështjen. Vendimet, veprimet ose mosveprimet e KZQ-së mund të kundërshtoheshin pranë Gjykatës së Lartë.
33. Neni 70 i ligjit përcaktonte procedurën e shpalljes së pavlefshmërisë së votimit në një degë zgjedhore nga komisioni zgjedhor i kësaj dege.
Paragrafi 1 i këtij neni thoshte kështu:
“Komisioni zgjedhor i një dege mund ta shpallë të pavlefshëm votimin e mbajtur në atë degë në rast të një shkeljeje të këtij ligji e cila e bën të pamundur përcaktimin e vullnetit të zgjedhësve. Një pavlefshmëri e tillë mund të shpallet vetëm në rrethanat e mëposhtme:
1. në qoftë se vërtetohet se parregullsitë janë kryer gjatë votimit (futje fletëvotimi në kuti nga një person i ndryshëm prej atij të cilit i është dorëzuar ajo; votim personash që nuk e kanë të drejtën për të votuar; votim personash që nuk janë të përfshirë në listat zgjedhore të degës në fjalë ose personash të përfshirë gabimisht në ato lista; votim i shumëfishtë) dhe se numri i votave të parregullta përbën më shumë se 10% të votave të shprehura;
2. në qoftë se një kuti votimi është dëmtuar ose shkatërruar aq saqë e bën të pamundur përcaktimin e përmbajtjes së saj dhe në qoftë se numri i fletëvotimeve të dëmtuara është më shumë se 10% i shumës së votave të shprehura;
3. në qoftë se numri i fletëvotimeve të shprehura është më i madh se të paktën 10% në krahasim me numrin e votuesve.”
34. Neni 72 i ligjit përcaktonte procedurën e shqyrtimit, nga ana e komisioneve të zonave, të procesverbaleve të votimit të hartuara nga komisionet e degëve.
Paragrafi 12 i këtij neni thoshte:
“Kur komisioni zgjedhor i një zone konstaton se ekzistojnë rrethanat e renditura në paragrafin 1 të nenit 70 ose rrethana të tjera që e bëjnë të pamundur përcaktimin e vullnetit të zgjedhësve të degës, ai mund ta shpallë të pavlefshëm votimin në atë degë.”
35. Ligji i vitit 2004 për zgjedhjet legjislative (me ndryshimet e 7 korrikut 2005) vendos përfaqësimin proporcional. Sipas nenit 90 të këtij ligji, komisionet e degëve zgjedhore e ruajnë kompetencën për ta shpallur të pavlefshëm një votim, në rast se numri i votave të parregullta është më i madh se 10% në krahasim me shumën e votave të shprehura. Neni 92 parashikon se, pas një rinumërimi, një komision zone zgjedhore mund ta shpallë të pavlefshëm votimin e një dege zgjedhore, në qoftë se plotësohen kushtet e përmendura në nenin 90 ose në rast se konstaton që ka pasur veprime të qëllimshme që e kanë shqetësuar punën e anëtarëve të një komisioni zgjedhor apo të vëzhguesve për kandidatët.
LIGJI
I. SHTRIRJA E ÇËSHTJES
36. Gjykata vëren se, pasi i është komunikuar kërkesëpadia qeverisë së paditur dhe në përgjigje të vërejtjeve të kësaj të fundit rreth pranueshmërisë dhe thelbit të kërkesës, paditësi ka paraqitur ankesa shtesë, duke parashtruar se përkrahësit e tij e ai vetë ishin ngacmuar vazhdimisht prej autoriteteve. Ai është ankuar gjithashtu se kundërshtari i tij kryesor, Z. G., i ka shfrytëzuar funksionet e tij në krye të administratës së distriktit të Beregovës për të ndikuar mbi fushatën dhe përfundimin e zgjedhjeve.
37. Qeveria nuk ka shprehur vërejtje rreth kësaj pike.
38. Sipas mendimit të Gjykatës, këto ankesa të reja lidhen përgjithësisht me çështjen, por nuk e shtjellojnë më tej tezën që paditësi i ka paraqitur asaj në zanafillë e që kufizohej te padrejtësia e pretenduar e procedurës së numërimit të votave në zonën nr. 72 gjatë zgjedhjeve legjislative të vitit 2002. Gjykata është pra e mendimit se nuk është e udhës, në këtë stad, që këto pika të shqyrtohen veçmas në kuadër të kësaj çështjeje (shih, sidomos, Piryanik k. Ukrainës, nr. 75788/01, § 20, 19 prill 2005, dhe Lyachko k. Ukrainës, nr. 21040/02, § 29, 10 gusht 2006).
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 3 TË PROTOKOLLIT NR. 1
39. Paditësi mbron idenë se kushtet në të cilat janë zhvilluar zgjedhjet në zonën nr. 72 nuk e kanë siguruar shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës. Në veçanti, ai ankohet për shpalljen si të pavlefshëm të votimit në degët zgjedhore nr. 14, 45, 58 e 67 dhe për mënyrën se si është zhvilluar rinumërimi që ka vijuar më pas, të cilin ai e vlerëson si të padrejtë, si edhe për mesazhin drejtuar lexuesve, të botuar në gazetat lokale nga kryetari dhe sekretarja e komisionit të zonës, mesazh i cili tregon sipas tij anshmërinë e autorëve të tij. Ai i referohet nenit 3 të Protokollit nr. 1, i cili shprehet kështu:
“Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të organizojnë, në intervale të arsyeshme kohore, zgjedhje të lira me votim të fshehtë, në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës.”
A. Rreth pranueshmërisë
40. Qeveria argumenton se, në përgjithësi, paditësi nuk i ka shteruar mjetet e brendshme ligjore siç ia dikton neni 35 § 1: ndonëse Konventa dhe protokollet e saj janë pjesë përbërëse e së drejtës ukrainase, Z. Kovatch nuk paska parashtruar kurrë, as pranë KZQ-së, as pranë Gjykatës së Lartë, asnjë ankesë për shkelje të dispozitave të këtyre instrumenteve.
41. Paditësi e hedh poshtë këtë tezë.
42. Rregulli i shterimit të mjeteve të brendshme ligjore vë si detyrim, në parim, që të parashtrohen pranë juridiksioneve kombëtare, të paktën në thelb dhe në format e afatet e parashikuara nga e drejta e brendshme, pretendimet që mendohet të paraqiten më pas në nivel ndërkombëtar (Azinas k. Qipros [DhM], nr. 56679/00, § 38, GjEDNj 2004‑III). Nuk ka kundërshtim që paditësi i ka ngritur këto pretendime lidhur me shpalljen e pavlefshmërisë së votave të shprehura në degët zgjedhore nr. 14, 45, 58 e 67 dhe me padrejtësinë e pretenduar të rinumërimit të datës 7 prill 2002 pranë KZQ-së, pastaj pranë Gjykatës së Lartë. Këto çështje u ishin parashtruar pra plotësisht autoritetet kombëtare. Qeveria nuk ka lënë të kuptohet që të ketë ndonjë rregull të çfarëdoshëm të së drejtës së brendshme që të kërkojë t’i referohesh Konventës, as ka treguar që shqyrtimi ose përfundimi i çështjes do të kishin qenë ndryshe sikur ankuesi t’i ishte referuar nenit 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës përpara KZQ-së apo Gjykatës së Lartë. Gjykata është pra e mendimit se ai i ka parashtruar këto ankime në mënyrën e duhur pranë autoriteteve të brendshme dhe e hedh poshtë pretendimin e Qeverisë.
43. Gjykata vëren madje se këto ankesa nuk janë dukshëm të pabazuara në kuptimin e nenit 35 § 3 të Konventës dhe se ato nuk janë të papranueshme për arsye të tjera. Pra, ato duhet të deklarohen të pranueshme.
44. Lidhur me ankesën e paditësit për botimin në një gazetë lokale të një mesazhi për zgjedhësit, të nënshkruar nga kryetari dhe sekretarja e komisionit zgjedhor të zonës nr. 72, Qeveria mbron idenë se paditësi nuk i ka shteruar mjetet e brendshme ligjore, duke mos e pasur parashtruar këtë ankesë përpara KZQ-së dhe Gjykatës së Lartë. Paditësi pohon nga ana e tij se ky element ishte i paraqitur në ankimin e tij pranë KZQ-së të datës 16 prill 2002. Sikur kërkesëpadia të kishte pasur të bënte vetëm me këtë pikë, Gjykata nuk beson që një ankim pranë KZQ-së, pa u ndjekur nga një kërkesë pranë Gjykatës së Lartë, do të mund të quhej i mjaftueshëm për shterimin e mjeteve të brendshme ligjore. Megjithatë, duke pasur parasysh rrethanat e kësaj çështjeje, ku ankimi për anshmëri të kryetarit dhe të sekretares së një komisioni zgjedhor është i lidhur ngushtë me aspektet e tjera të ankesës së paditësit lidhur me shkeljen e së drejtës së tij për zgjedhje të lira, Gjykata vlerëson se është me vend që pretendimi i Qeverisë t’i bashkohet thelbit të kërkesës. Meqenëse ankesa nuk është e papranueshme për arsye të tjera, është e udhës që ajo të deklarohet e pranueshme.
B. Rreth thelbit
1. Tezat e palëve
45. Paditësi mbron idenë se ai ka grumbulluar më shumë vota sesa kundërshtari i vet, por se i është mohuar vendi në parlament përmes një procedure të padrejtë numërimi votash, e cila i ishte lënë krejtësisht në dorë komisionit zgjedhor të zonës.
46. Sipas Qeverisë, nuk ka pasur asnjë shkelje të rëndë të së drejtës zgjedhore gjatë votimit në zonën nr. 72, ndërsa parregullsitë që kanë ndodhur janë sinjalizuar e ndrequr në mënyrën e duhur dhe menjëherë nga KZQ-ja.
47. Qeveria mbron idenë se diferenca midis dy kandidatëve – paditësit dhe Z. G. – ishte e ngushtë dhe se mjaftonin vetëm disa vota për ta përmbysur rezultatin e votimit. Fakti që “votat e humbura”, një dukuri që nuk qenka tipike për Ukrainën e u ndeshka edhe në sisteme të tjera zgjedhore, mund të kenë ndikuar mbi rezultatin e votimit në zonën nr. 72 nuk ardhka për shkak se shteti nuk ia ka dalë të “sigurojë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës”. Komisioni zgjedhor i zonës nr. 72 paska dalë në përfundimin e arsyeshëm se shkeljet e ligjit zgjedhor të ndodhura gjatë votimit në katër degët në fjalë përbënin një pengesë për përcaktimin e vullnetit të zgjedhësve. Për më tepër, ky përfundim qenkësh kontrolluar nga KZQ-ja e nga Gjykata e Lartë, të cilat e paskan gjykuar si të ligjshëm e të bazuar.
2. Vlerësimi i Gjykatës
48. Neni 3 i Protokollit nr. 1 duket në pamje të parë si i ndryshëm nga dispozitat e tjera të Konventës dhe të protokolleve të saj që garantojnë të drejtat, sepse ai shpall detyrimin e Palëve të Larta Kontraktuese për të organizuar zgjedhje në kushte që e sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit dhe jo një të drejtë a një liri në veçanti. Megjithatë, duke pasur parasysh punimet përgatitore të nenit 3 të Protokollit nr. 1 dhe interpretimin që i jepet kësaj klauzole në kuadër të Konventës në tërësi, Gjykata ka përcaktuar se ky nen garanton të drejta subjektive, ndër të cilat të drejtën e votës dhe atë për t’u paraqitur si kandidat në zgjedhje (shih, ndër shumë të tjerë, Mathieu-Mohin e Clerfayt k. Belgjikës, 2 mars 1987, §§ 46-51, seria A nr. 113; Hirst k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 2) [DhM], nr. 74025/01, §§ 56-57, GjEDNj 2005-IX; dhe, më vonë, Ždanoka k. Letonisë [DhM], nr. 58278/00, § 102, GjEDNj 2006-IV). Madje, Gjykata ka gjykuar se kjo dispozitë garanton të drejtën e çdo individi për t’u paraqitur si kandidat në zgjedhje dhe, pasi të zgjidhet, për të ushtruar mandatin e tij (Lykourezos k. Greqisë, nr. 33554/03, § 50, GjEDNj 2006‑VIII).
49. Të drejtat e garantuara nga neni 3 i Protokollit nr. 1 janë vendimtare për vendosjen dhe ruajtjen e themeleve të një demokracie të vërtetë përmes mbisundimit të ligjit. Megjithatë, këto të drejta nuk janë absolute. Ka vend për “kufizime të nënkuptuara” dhe shteteve kontraktuese duhet t’u lihet një hapësirë vlerësimi në këtë drejtim. Në këtë fushë, hapësira në fjalë është e gjerë, me kusht që shtetet të sigurojnë barazinë e trajtimit midis të gjithë qytetarëve. Por nga kjo nuk rrjedh se të gjitha fletëvotimet duhet të kenë peshë të barabartë për sa i përket rezultatit, as se çdo kandidat duhet të ketë shanse të barabarta për të fituar. Pra, asnjë sistem nuk do të mund ta shmangte dukurinë e “votave të humbura” (Mathieu-Mohin e Clerfayt, i cituar më lart, § 54).
50. I takon sidoqoftë Gjykatës të vendosë në shkallë të fundit lidhur me respektimin e kërkesave të nenit 3 të Protokollit nr. 1; asaj i duhet të sigurohet që këto kushte nuk i tkurrin të drejtat për të cilat bëhet fjalë deri në atë pikë sa t’i prekin ato në vetë thelbin e tyre dhe t’i zhveshin nga efektiviteti, që ato ndjekin një qëllim të drejtë dhe që mjetet e përdorura nuk dalin të shpërpjesëtuara (Labita k. Italisë [DhM], nr. 26772/95, § 201, GjEDNj 2000-IV). Çdo shmangie nga parimi i zgjedhjeve të përgjithshme rrezikon t’i vërë kazmën legjitimitetit demokratik të organit ligjvënës të zgjedhur në këtë mënyrë si edhe ligjeve të nxjerra prej tij. Përjashtimi i çfarëdolloj grupesh a kategorish të popullatës duhet, për rrjedhojë, të jetë në pajtim me parimet ku mbështetet neni 3 i Protokollit nr. 1 (Soukhovetski k. Ukrainës, nr. 13716/02, § 52, GjEDNj 2006-...).
51. Në rastin e çështjes në gjykim, ankesat e paditësit kanë të bëjnë në thelb me mënyrën se si është kryer numërimi i votave në zonën zgjedhore ku ai ishte kandidat. Në veçanti, ai vlerëson se vendimet që e kanë shpallur të pavlefshëm votimin në degët zgjedhore nr. 14, 45, 58 dhe 67 ishin të padrejta e të pabazuara.
52. Duke rikujtuar pamundësinë e shmangies së dukurisë së “votave të humbura”, Qeveria mbron idenë se vendimet e kundërshtuara të komisionit zgjedhor të zonës nr. 72 synonin të fshinin pasojat negative që sillte shkelja e ligjit zgjedhor mbi shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve. Gjykata ka dyshime që praktika e zbritjes së të gjitha votave të një qendre votimi ku kanë ndodhur parregullsi, pavarësisht nga përmasat e këtyre parregullsive dhe nga ndikimi i kësaj metode në rezultatin e zgjedhjeve në zonë, të mund të konsiderohet sikur ndjek një qëllim të drejtë e në përputhje me synimet e nenit 3 të Protokollit nr. 1. Sidoqoftë, nuk është e nevojshme që ajo të marrë vendim përfundimtar rreth kësaj çështjeje, duke pasur parasysh përfundimet e shtjelluara këtu më poshtë.
53. Objekti dhe qëllimi i Konventës, si instrument për mbrojtjen e qenieve njerëzore, kërkojnë që dispozitat e saj të interpretohen dhe të zbatohen në një mënyrë që t’i bëjë kërkesat e tyre jo teorike e të rreme, por konkrete dhe efektive (shih, për shembull, Partia Komuniste e Bashkuar e Turqisë me të tjerë k. Turqisë, 30 janar 1998, Recueil 1998-I, § 33, dhe Chassagnou me të tjerë k. Francës [DhM], nr. 25088/94, 28331/95 dhe 28443/95, § 100, GjEDNj 1999-III).
54. Në çështjen Podkolzina k. Letonisë, Gjykata ka rikujtuar se e drejta për t’u paraqitur si kandidat në zgjedhje, e garantuar nga neni 3 i Protokollit nr. 1 dhe e lidhur ngushtë me nocionin e një regjimi përnjëmend demokratik, nuk do të ishte veçse e rreme sikur të mund t’i mohohej të interesuarit kurdoherë e në mënyrë arbitrare. Për pasojë, sado që është e vërtetë se shteteve u lihet një hapësirë e madhe vlerësimi për të vendosur kushte zgjedhshmërie in abstracto, parimi i efektivitetit të së drejtave kërkon që vendimet të cilat konstatojnë mosrespektimin e këtyre kushteve në rastin e këtij apo atij kandidati të përputhen me një numër kriteresh që e mundësojnë shmangien e arbitraritetit. Në veçanti, këto vendime duhet të merren nga një organ që paraqet njëfarë minimumi garancish asnjanësie. Po ashtu, fuqia autonome e këtij organi për të bërë vlerësime nuk duhet të jetë e tepruar; ajo duhet të jetë, në një nivel të mjaftueshëm përpikërie, e kufizuar nga dispozitat e së drejtës së brendshme. Së fundi, procedura për shpalljen e pazgjedhshmërisë së një kandidati duhet të garantojë një vendimmarrje të paanshme e objektive, si edhe të shmangë çdo shpërdorim pushteti nga ana e autoritetit kompetent (Podkolzina k. Letonisë, nr. 46726/99, § 35, GjEDNj 2002‑II).
55. Kjo çështje nuk ka të bëjë me vetë kushtet e zgjedhshmërisë, por me mënyrën se si është shqyrtuar rezultati i zgjedhjeve nga autoritetet e brendshme kompetente. Hapësira e shtetit për të bërë vlerësime mbetet e gjerë edhe në këtë fushë, por nuk mund ta pengojë kontrollin e ushtruar nga Gjykata lidhur me karakterin arbitrar ose jo të një vendimi.
56. Sa për shembull, në dy çështje të mëparshme, I.Z. k. Greqisë (nr. 18997/91, vendim i Komisionit i 28 shkurtit 1994, Décisions et rapports (DR)) dhe Babenko k. Ukrainës (vend. pran., nr. 43476/98, 4 maj 1999), organet e Konventës kanë shqyrtuar ankesat e kandidatëve humbës në zgjedhje, të cilët ankoheshin për padrejtësi të procedurave zgjedhore, dhe i kanë rrëzuar ato me arsyetimin se, në mungesë të një dëmi real për sa i përkiste rezultatit të zgjedhjeve, situata në gjykim nuk përbënte një ndërhyrje në shprehjen e lirë të popullit. Megjithatë, kjo analizë nuk gjen dot zbatim në rastin e çështjes në fjalë, përderisa, ashtu siç e ka pranuar edhe Qeveria në vërejtjet e saj, shpallja e pavlefshmërisë së votimit në katër degët për të cilat bëhet fjalë ka pasur si pasojë të drejtpërdrejtë faktin që fitues është shpallur Z. G. dhe jo paditësi.
57. Ligji i vitit 2001 për zgjedhjet legjislative thoshte se votimi mund të shpallej i pavlefshëm në degët zgjedhore për arsyet e përmendura në nenin 70 ose për “të tjera rrethana” që e bënin të pamundur përcaktimin e vullnetit të zgjedhësve, të përmendura në nenin 72 (paragrafët 33 e 34 të mësipërm).
58. Neni 70 i ligjit e parashikonte shprehimisht situatën e votimit të shumëfishtë dhe thoshte se, në një rast të tillë, votimi në atë degë mund të shpallej i pavlefshëm, me kusht që numri i fletëve të pavlefshme të arrinte pragun prej 10% të shumës së votave të shprehura. Sa për nenin 72, duhet shënuar se asnjë dispozitë normative apo praktikë e brendshme nuk lejonte të saktësohej se cilët faktorë mund të konsideroheshin si “të tjera rrethana” që mund ta përligjnin shpalljen e votimit si të pavlefshëm. Veçanërisht, nuk dihej me saktësi nëse këto “të tjera rrethana” duhej të mos ishin rrethana të parashikuara nga neni 70 apo nëse ato u lejonin komisioneve zgjedhore si dhe, kundrejt një rekursi, gjykatave që ta shmangnin formulimin e nenit 70 duke konsideruar se te “të tjera rrethana” përfshiheshin ato elemente që ishin marrë parasysh nga kjo dispozitë. Për më tepër, ndërkohë që neni 70 i numëronte një për një rastet të cilat, nëse ndodhnin gjatë votimit, mund të shkaktonin shpalljen e tij të pavlefshëm, neni 72 prirej të caktonte rregullat e procedurës së shqyrtimit të procesverbaleve të votimit dhe nuk kishte parasysh drejtpërdrejt rastet në fjalë.
59. Kjo mungesë qartësie e nenit 72 të ligjit të vitit 2001 për zgjedhjet legjislative si dhe rreziqet potenciale për gëzimin e të drejtave zgjedhore, që lidheshin me interpretimin e tij nga autoritetet e brendshme, kërkonin një maturi të veçantë nga ana e këtyre të fundit. Por komisioni zgjedhor i zonës, në vendimet e tij nr. 40 e 41, është mbështetur thjesht te vendimet e mëparshme për të konsideruar se parregullsitë e vëna re dhe të shënuara nga vëzhguesit përbënin “të tjera rrethana” që e bënin të pamundur përcaktimin e vullnetit të zgjedhësve. Vendimi nr. 36, që është marrë si pikë referimi, vinte në dukje se futja e disa fletëvotimeve të pavlefshme, për të cilën kishin qenë dëshmitarë vëzhguesit e Z. M. në degët zgjedhore nr. 14, 45 e 58, dhe fakti se anëtarët e komisionit zgjedhor të degës nr. 67 kishin hapur vulat e qendrës së votimit dhe marrë procesverbalet si edhe disa fletëvotimi të pavlefshme (paragrafi 10 i mësipërm) mjaftonin për të deklaruar të pavlefshme të gjitha votat e shprehura në ato degë.
60. As në këto vendime, as në ato të dhëna më vonë nga Komisioni Zgjedhor Qendror e nga Gjykata e Lartë, nuk janë shqyrtuar konflikti mes neneve 70 e 72 të ligjit të vitit 2001 për zgjedhjet legjislative ose besueshmëria e aktorëve të ndryshëm të këtij votimi. Aq më tepër, asnjë nga këto vendime nuk jepte shpjegim se për cilën arsye, sidomos në vështrim të nenit 70, shkeljet e vërejtura mund të kishin rënduar në rezultatin e votimit të degëve nr. 14, 45, 58 e 67 deri në atë pikë sa ishte bërë e pamundur të përcaktohej vullneti i zgjedhësve.
61. Duke pasur parasysh të gjitha këto elemente, Gjykata del në përfundimin se vendimi për ta shpallur të pavlefshëm votimin në të katër degët zgjedhore duhet konsideruar si arbitrar dhe i shpërpjesëtuar në krahasim me çdo qëllim të drejtë të përmendur nga Qeveria. Për rrjedhojë, në rastin e çështjes në fjalë, ka pasur shkelje të nenit 3 të Protokollit nr. 1.
62. Si ka vendosur kështu, Gjykata vlerëson se nuk është e nevojshme të shprehet rreth ankesave të paditësit lidhur me njëanshmërinë e anëtarëve të komisionit zgjedhor të zonës nr. 72, duke pasur parasysh mesazhin për lexuesit që ata e kishin botuar nëpër gazeta, rreth shkeljeve të pretenduara të ligjit zgjedhor të brendshëm në çastin e rinumërimit të 7 prillit 2002 dhe rreth mungesës së sigurisë së kutive të votimit. Nuk është me vend gjithashtu që të shqyrtohet kërkesa e Qeverisë për prapësim lidhur me mosshterimin e mjeteve të brendshme ligjore në kuadër të ankesave për njëanshmërinë e pandehur të anëtarëve të komisionit zgjedhor të lartpërmendur.
III. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
63. Sipas nenit 41 të Konventës,
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi material
64. Paditësi saktëson se kërkesa e tij për sa i përket dëmit material mbështetet në humbjen e pagës që ai do të kishte marrë si deputet në Verkhovna Rada. Ai kërkon 144 000 dollarë amerikanë (USD), ose 107 250 euro (EUR), duke treguar se kjo shumë i përgjigjet përafërsisht rrogës së një deputeti dhe se ajo është pra shuma që ai do të kishte marrë sikur të ishte zgjedhur.
65. Qeveria vlerëson se nuk ka lidhje shkakësore midis kërkesave për zhdëmtim të paditësit dhe shkeljes së konstatuar.
66. Siç është vënë në dukje në paragrafin 56 të mësipërm, shpallja e votimit si i pavlefshëm në katër degët në fjalë ka sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë faktin që i zgjedhur në parlament është deklaruar Z. G. dhe jo paditësi. Është e vërtetë se, sikur të ishte zgjedhur, Z. Kovatch do të kishte marrë shpërblime si deputet. Mirëpo kjo nuk mjafton për të përligjur dhënien e shumave të kërkuara, sepse këto duhet të vihen në balancë me të ardhurat e tjera që ai ka mundur të marrë e të cilat nuk do t’i kishte pasur sikur të ishte zgjedhur, njëlloj si në çështjen Lykourezos k. Greqisë (vendim i cituar më lart, § 64), ku paditësit i ishte hequr mandati. Paditësi ka dhënë hollësi rreth pagës që do të kishte marrë si deputet, por nuk e ka saktësuar shifrën e humbjes së tij neto. Gjykata e rrëzon pra kërkesën e tij lidhur me dëmin material.
B. Dëmi moral
67. Paditësi kërkon 56 000 USD (41 715 EUR) si zhdëmtim për ankthin dhe tronditjen që thotë se ka pësuar për shkak të shkeljes së të drejtave të tij zgjedhore.
68. Qeveria është e mendimit se kjo kërkesë është e pabazuar dhe e tepruar.
69. Gjykata e pranon që paditësi ka pësuar një dëm moral për shkak të shkeljes së konstatuar. Për rrjedhojë, duke vendosur me paanësi dhe duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes, ajo i jep atij për këtë 8 000 EUR.
C. Kosto dhe shpenzime
70. Meqenëse paditësi nuk ka paraqitur kërkesë për kosto dhe shpenzime brenda afateve të caktuara, Gjykata nuk jep asnjë shumë për këtë qëllim.
D. Kamatëvonesat
71. Gjykata e gjykon si të përshtatshme që ta bazojë përqindjen e kamatëvonesave te përqindja e interesit të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane, të rritur me tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZERI,
1. Ia bashkon thelbit pretendimin e Qeverisë për mosshterimin e mjeteve të brendshme ligjore për sa i përket ankesës së paditësit lidhur me njëanshmërinë e pretenduar të disa anëtarëve të një komisioni zgjedhor dhe nxjerr si përfundim se nuk është e nevojshme të shqyrtohet kjo ankesë;
2. E deklaron kërkesën të pranueshme për pjesën që mbetet;
3. Thotë se ka pasur shkelje të nenit 3 të Protokollit nr. 1;
4. Thotë
a) se shteti i paditur duhet t’i paguajë paditësit, brenda tre muajsh duke nisur nga dita kur vendimi do të ketë marrë formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, 8 000 EUR (tetë mijë euro) për dëm moral, të cilat duhet të konvertohen në monedhën kombëtare të shtetit të paditur me kursin e zbatueshëm në ditën e kryerjes së pagesës, plus çdo shumë që mund të duhet më tepër si vlerë tatimi për paditësin;
b) se, duke nisur nga përfundimi i afatit të lartpërmendur e deri në derdhjen e saj, kjo shumë do të shtohet me një interes të thjeshtë në përqindje të barabartë me atë të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, të shtuar me tri pikë përqindjeje;
5. Rrëzon kërkesën për çdo shtesë tjetër si shpërblim të drejtë.
I hartuar në anglisht, pastaj i njoftuar me shkrim më 7 shkurt 2008, në zbatim të nenit 77 §§ 2 e 3 të Rregullores.
Claudia WesterdiekPeer Lorenzen
SekretareKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy