© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E KURIĆ DHE TË TJERË kundër SLLOVENISË
(Kërkesa nr. 26828/06)
VENDIM[1]
(Shpërblim i drejtë)
STRASBURG
12 mars 2014
Ky vendim është përfundimtar por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Kurić dhe të Tjerë kundër Sllovenisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, Kryetar,
Jean-Paul Costa,
Nicolas Bratza,
Françoise Tulkens,
Guido Raimondi,
Nina Vajić,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Boštjan M. Zupančič,
Elisabeth Steiner,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Luis López Guerra,
Zdravka Kalaydjieva,
Nebojša Vučinić,
Ganna Yudkivska,
Angelika Nußberger, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 28 shkurt 2014,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në të njëjtën datë:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me anë të një kërkese (nr. 26828/06) kundër Republikës së Sllovenisë sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga Z. Milan Makuc, shtetas i Kroacisë, dhe dhjetë kërkues të tjerë, më 4 qershor 2006. Pas vdekjes së Z. Makuc, çështja u riemërua Kurić dhe të Tjerë kundër Sllovenisë. Tetë kërkues vazhduan të mbeteshin në procedurën para Dhomës së Madhe (shih paragrafin 4 poshtë).
2. Kërkuesit u përfaqësuan para Gjykatës me anë të Z. A.G. Lana dhe Z. A. Saccucci, avokatë me ushtrojnë profesionin në Romë.
3. Qeveria sllovene (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjenti i saj, Z. L. Bembič, Avokat i Shtetit.
4. Në një vendim[2] të shpallur më 26 qershor 2012 (“vendimi kryesor”) Dhoma e Madhe e deklaroi, me shumicë votash, pjesën e kërkesës në lidhje me dy kërkues, Z. Dabetić dhe Z. Ristanović, të papranueshme për mos-shterim të mjeteve vendase.
5. Më tej, ajo u shpreh, njëzëri, që kishte pasur shkelje të së drejtës për respektimin e “jetës private ose familjare” ose të dyjave (neni 8 i Konventës), të drejtën për zgjidhje efektive (neni 13) dhe ndalimin e diskriminimit (neni 14, i lexuar bashkë me nenin 8) në lidhje me gjashtë kërkuesit e tjerë: Z. Kurić, Znj. Mezga, Z. Ristanović, Z. Berisha, Z. Ademi dhe Z. Minić.
6. Ajo gjeti që shkelja në thelb kishte filluar me dështimin e zgjatur të autoriteteve sllovene, pavarësisht nga vendimet drejtuese të Gjykatës Kushtetuese, që të rregullonin statusin e qëndrimit të kërkuesve pas “fshirjes” së tyre të paligjshme nga Regjistri i Banorëve të Përhershëm më 26 shkurt 1992 dhe t’u ofronin atyre rezultate konkrete. Si pasojë, jo vetëm kërkuesit në këtë çështje, por edhe një numër shumë i madh personash të tjerë (e tërë kategoria e të ashtuquajturve “të fshirë” (izbrisani), ish-qytetarë të Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë (“RFSJ”) me banim të përhershëm në Slloveni emrat e të cilëve ishin “fshirë” më 26 shkurt 1992), ishin ndikuar dhe ende vazhdonin të ndikoheshin nga ajo masë (shih Kurić dhe të Tjerë kundër Sllovenisë [GC], nr. 26828/06, §§ 29, 408‑409 dhe 412, ECHR 2012 (pjesë të shkëputura)).
7. Në lidhje me këtë, Gjykata vendosi të zbatonte procedurën e vendimit-pilot sipas nenit 46 të Konventës dhe nenit 61 të Rregullores së Gjykatës, dhe urdhëroi që Shteti përgjegjës të ngrinte si masë e përgjithshme një skemë vendase kompensimi ad hoc brenda një viti pas shpalljes së vendimit kryesor, pra, jo më vonë se 26 qershori 2013 (shih pikën 9 të pjesës operative dhe paragrafin 415 të vendimit kryesor). Më tej, ajo shënoi që ndryshimet dhe shtesat e Ligjit për Statusin Ligjor (“Ligji mbi Statusin Ligjor i ndryshuar”) ishin zbatuar vetëm kohët e fundit dhe që ishte e parakohshme të shqyrtohej nëse kjo reformë legjislative dhe hapa të tjerë të ndryshëm të marrë nga Qeveria e kishin arritur rezultatin e rregullimit të kënaqshëm të statusit të qëndrimit të “të fshirëve” (shih paragrafët 410-411 të vendimit kryesor).
8. Sipas nenit 41 të Konventës, kërkuesit kërkuan shpërblim të drejtë në lidhje me dëmet materiale dhe jo materiale që kishin rezultuar nga shkeljet e gjetura në çështjen në fjalë, si dhe rimbursim të kostove dhe shpenzimeve të pësuara para Gjykatës.
9. Gjykata vendosi që çështja e zbatimit të nenit 41 nuk ishte e gatshme për vendim për sa i përket kërkesave të kërkuesve për dëme materiale dhe e rezervoi atë çështje, duke ftuar Qeverinë dhe kërkuesit të paraqisnin, brenda tre muajve nga data e lajmërimit për vendimin kryesor, vërejtjet e tyre me shkrim në lidhje me këtë çështje dhe, në mënyrë të veçantë, të informonin Gjykatën në lidhje me çdo marrëveshje që mund të arrinin. Më saktë, Gjykata konsideroi që çështja e zbatimit të nenit 41 duhet të zgjidhej jo vetëm duke pasur parasysh çdo marrëveshje që mund të arrihej mes palëve, por njëkohësisht edhe nën dritën e masave të tilla individuale apo të përgjithshme që mund të merreshin nga Qeveria përgjegjëse në ekzekutimin e vendimit kryesor (ibid., § 424, dhe pika 10 e pjesës operative të vendimit kryesor; shih gjithashtu Broniowski kundër Polonisë (zgjidhje miqësore) [GC], nr. 31443/96, §§ 3 dhe 36, ECHR 2005‑IX, dhe Hutten-Czapska kundër Polonisë (zgjidhje miqësore) [GC], nr. 35014/97, §§ 3 dhe 33, 28 prill 2008). Në pritje të zbatimit të masave të përgjithshme përkatëse, Gjykata e shtyu shqyrtimin e kërkesave që rridhnin nga i njëjti shkak (shih paragrafin 415 të vendimit kryesor).
Së fundi, Dhoma e Madhe caktoi 20.000 euro (EUR) dëmshpërblim për secilin prej kërkuesve të suksesshëm (Z. Kurić, Znj. Mezga, Z. Ristanović, Z. Berisha, Z. Ademi dhe Z. Minić) në lidhje me dëme jo materiale dhe një shumë të tërësishme prej 30.000 EUR për kërkuesit në lidhje me kostot dhe shpenzimet deri në atë fazë të procedurës para Dhomës së Madhe, dhe rrëzoi pjesën e mbetur të kërkesave të tyre sipas këtyre titujve.
10. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua sipas dispozitave të nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores. Më 31 tetor 2012 mandati i Nicolas Bratza si Kryetar i Gjykatës përfundoi. Dean Spielmann e zëvendësoi në atë cilësi dhe mori përsipër kryesinë e Dhomës së Madhe në çështjen në fjalë (neni 9 § 2). Jean-Paul Costa, Nicolas Bratza, Françoise Tulkens dhe Nina Vajić vazhduan të ishin anëtarë deri në përfundim të mandateve të tyre, në përputhje me nenin 23 § 3 të Konventës dhe nenin 24 § 4 të Rregullores. Në pajtim me nenin 24 § 3 të Rregullores, Anatoly Kovler, i cili u ndalua të ishte anëtar, u zëvendësua nga Mark Villiger.
11. Pas një shtyrjeje fillestare të afatit përkatës kohor në lidhje me kërkesat për shpërblim të drejtë sipas nenit 41 dhe mundësisë së arritjes së një zgjidhjeje miqësore në kontekstin e procedurës së vendimit-pilot sipas nenit 61 § 7, Kryetari i Dhomës së Madhe lejoi një kërkesë të dytë për atë qëllim nga Qeveria përgjegjëse dhe informoi palët që, në mungesë të një propozimi të përshtatshëm për zgjidhje miqësore deri më 24 qershor 2013, Gjykata do të merrte vendim në lidhje me kërkesat për dëme materiale.
12. Më tej, pas një kërkese nga Qeveria përgjegjëse për shtyrjen për një vit të afatit kohor për ngritjen e një skeme vendase kompensimi ad hoc (shih paragrafin 7 lart), Gjykata informoi palët më 9 prill 2013 që ajo nuk ishte e predispozuar ta pranonte atë kërkesë. Sipas mendimit të Gjykatës, kjo ishte një çështje e cila duhet të diskutohej në Komitetin e Ministrave duke vepruar sipas nenit 46 § 2 të Konventës.
Pas një kërkese nga Qeveria përgjegjëse për të rishqyrtuar vendimin e saj, më 14 maj 2013 Gjykata, duke marrë parasysh pasigurinë e procesit legjislativ në lidhje me skemën ad hoc të kompensimit në vend dhe përparimin relativisht të vogël që dukej të ishte shënuar deri në atë kohë, vendosi të mos e pranonte kërkesën, duke theksuar se ky vendim nuk duhet të interpretohej në asnjë mënyrë si i tillë që paragjykonte ndonjë vendim të ardhshëm të Komitetit të Ministrave në ushtrimin e funksioneve të veta mbikëqyrëse sipas nenit 46 të Konventës.
13. Më 24 qershor 2013 kërkuesit dhe Qeveria përgjegjëse parashtruan vërejtjet e tyre në lidhje me kërkesat kryesore për shpërblim të drejtë sipas nenit 41 të Konventës. Të dy palët shprehën gatishmërinë e tyre për të arritur një zgjidhje miqësore, sidoqoftë, pa bërë propozime konkrete në atë drejtim. Rrjedhimisht, Gjykata vendosi që ajo do të gjykonte në lidhje me çështjet kryesore nga neni 41 i Konventës dhe do t’i informonte palët përkatësisht.
FAKTET
14. Kërkuesi i parë, Z. Mustafa Kurić, është i lindur në vitin 1935 dhe jeton në Koper (Slloveni). Ai është person pa shtetësi. Kërkuesja e dytë, Znj. Ana Mezga, është shtetase e Kroacisë. Ajo është e lindur në vitin 1965 dhe jeton në Portorož (Slloveni). Kërkuesi i tretë, Z. Tripun Ristanović, është i lindur në vitin 1988 dhe për momentin jeton në Slloveni. Ai është shtetas i Bosnje dhe Hercegovinës. Kërkuesi i katërt, Z. Ali Berisha, është i lindur në vitin 1969 në Kosovë. Sipas të dhënave të kohëve të fundit, ai është shtetas i Serbisë. Për momentin ai jeton në Gjermani. Kërkuesi i pestë, Z. Ilfan Sadik Ademi, është i lindur në vitin 1952. Ai jeton në Gjermani dhe është shtetas i Maqedonisë. Kërkuesi i gjashtë, Z. Zoran Minić, është i lindur në vitin 1972. Sipas Qeverisë, ai është shtetas i Serbisë. Vendndodhja e tij e saktë është e panjohur.
I. ZHVILLIMET PAS VENDIMIT KRYESOR
15. Afati për paraqitjen e kërkesave për lejeqëndrim të përhershëm nga “të fshirët” sipas Ligjit për Statusin Ligjor ka skaduar më 24 qershor 2013. Ai Ligj është miratuar në mënyrë që të rregulloheshin papajtueshmëritë mes Ligjit për Statusin Ligjor dhe Kushtetutës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 3 prillit 2003, dhe ka hyrë në fuqi më 24 qershor 2010.
16. Ligji i ndryshuar mbi Statusin Ligjor parashikonte marrjen e lejeqëndrimeve të përhershme ex nunx dhe ex tunc – d.m.th. që nga 26 shkurti 1992 – nga personat “e fshirë” “aktualisht me banim” në Slloveni, sipas përkufizimit të Ligjit. Ai gjithashtu rregullonte statusin e fëmijëve të “të fshirëve” dhe parashikonte lëshimin e vendimeve prapavepruese në lidhje me ata persona “të fshirë” të cilëve u ishte dhënë shtetësia sllovene pa marrë paraprakisht lejeqëndrim të përhershëm (shih paragrafët 71 dhe 76-79 të vendimit kryesor).
17. Një peticion (nr. U-I-85/11) i paraqitur më 26 prill 2011 nga shoqata Iniciativa Civile për “Të Fshirët”, së bashku me individë të tjerë privatë, në lidhje me rishikimin kushtetues të Ligjit mbi Statusin Ligjor, është ende në pritje para Gjykatës Kushtetuese (shih paragrafin 81 të vendimit kryesor).
18. Më 10 janar 2013 Gjykata Kushtetuese shpalli vendim në lidhje me përgjegjësinë e Shtetit sipas nenit 26 të Kushtetutës në një çështje që rridhte nga problemi sistematik i afatit të tejzgjatur kohor të procedurave (shih Lukenda kundër Sllovenisë, nr. 23032/02, §§ 89-98, ECHR 2005‑X). Ajo vendosi që neni 26 nuk mund të interpretohej në mënyrë të ngushtë dhe që ai gjithashtu përfshinte përgjegjësinë e Shtetit për sjellje të paligjshme që nuk mund t’i atribuohej një personi apo autoriteti të caktuar brenda juridiksionit të Shtetit, por vetëm vetë Shtetit. Kjo po ashtu gjente zbatim edhe në garancitë për gjyq të drejtë pa vonesa të panevojshme, për çka jo vetëm gjykatat, por të tri degët e pushtetit – legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori – ishin përgjegjëse. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është relevant për zbatimin e vendimit kryesor në çështjen në fjalë.
19. Në maj 2013 Qeveria paraqiti për “publikun e gjerë” një propozim fillestar për një Projektligj që synonte ngritjen e një skeme ad hoc kompensimi për “të fshirët”.
20. Më 25 korrik 2013 Qeveria paraqiti në Parlament një Projektligj për Kompensimin e Dëmeve për Personat e Fshirë nga Regjistri i Banorëve të Përhershëm (Predlog Zakona o povračilu škode osebam, ki so bile izbrisane iz registra stalnega prebivalstva – shih paragrafin 7 lart). Projektligji, me ndryshime, u miratua më 21 nëntor 2013. Ligji vijues u publikua në Gazetën Zyrtare nr. 99/2013 më 3 dhjetor 2013. Ai hyri në fuqi më 18 dhjetor 2013 dhe do të bëhet i zbatueshëm prej 18 qershorit 2014.
21. Ligji parashikon që përfituesit e skemës së kompensimit do të jenë ata persona “të fshirë” të cilët kanë marrë lejeqëndrim të përhershëm, mbi çfarëdo baze ligjore, ose të cilëve u është dhënë shtetësia sllovene. Përfitues gjithashtu janë edhe ato persona “të fshirë” të cilët kanë bërë kërkesë pa sukses për atë qëllim sipas legjislacionit të mëparshëm – para miratimit të Ligjit për Statusin Ligjor i Ndryshuar – mbi bazën e kushteve të veçanta: kërkesa e tyre nuk duhet të jetë refuzuar për shkak se ata përbënin kërcënim për rendin publik, sigurinë ose mbrojtjen e Republikës së Sllovenisë, për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndjekjen e veprave penale, siç saktësohet në legjislacionin përkatës, apo mbi ndonjërën prej bazave të përcaktuara në seksionin 3 të Ligjit për Statusin Ligjor; procedurat në lidhje me kërkesën e tyre nuk duhet të jenë ndërprerë për shkak të mos bashkëpunimit të tyre; dhe ata duhet të kenë qenë me “qëndrim faktik” në Slloveni. Kushti i fundit i përmendur interpretohet duke pasur parasysh seksionin 1 (č) të Ligjit për Statusin Ligjor (shih paragrafët 77-79 dhe 211 të vendimit kryesor).
Në përkufizimin e rrethit të përfituesve, Qeveria mori parasysh vendimin e Dhomës së Madhe për të deklaruar pjesën e kërkesës lidhur me Z. Dabetić dhe Znj. Ristanović të papranueshme për mos shterim të mjeteve vendase (shih paragrafin 4 lart), duke shënuar që këta dy kërkues nuk kishin arritur të vërtetonin në ndonjë mënyrë të dukshme dëshirën e tyre për të vazhduar qëndrimin e tyre në Slloveni, pra për të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë për të rregulluar statusin e tyre të qëndrimit, çka tregonte se ata nuk kishin interes të mjaftueshëm në atë çështje (krahaso paragrafin 292 të vendimit kryesor). Çdo kërkesë për kompensim sipas Ligjit të ri do të duhet të depozitohet jo më vonë se tre vjet pas hyrjes së tij në fuqi ose pas pranimit të vendimit për qëndrim të përhershëm ose për shtetësi sllovene. Sidoqoftë, periudha e “fshirjes” nuk mund të shtrihet përtej datës së hyrjes në fuqi të Ligjit.
22. Shuma e kompensimit do të llogaritet mbi bazën e një shume fikse 50 euro për çdo muaj të plotë të “fshirjes”, duke mbuluar dëmet materiale dhe ato jo materiale. Për ata persona “të fshirë” kërkesat e të cilëve nuk janë pranuar, periudha e “fshirjes” do të përfundohet me anë të vendimit përfundimtar negativ. Nëse jepen disa vendime negative, periudha do të përfundojë si rezultat i vendimit të fundit në lidhje me të cilin kushti i “qëndrimit faktik” në Slloveni është përmbushur (shih paragrafin 21 lart). Persona të tillë “të fshirë” mund t’i dorëzojnë kërkesat e tyre brenda tre vitesh pas datës së vendimit përfundimtar negativ.
23. Përveç kësaj, nëse “të fshirët” konsiderojnë që atyre u takon kompensim shtesë, ata do të kenë mundësi të paraqesin kërkesë sipas rregullave të përgjithshme të Kodit të Detyrimeve (Obligacijski zakonik, Gazeta Zyrtare nr. 83/2001). Ligji e heq vjetërsimin e lëndës për kërkesat për kompensim sipas Kodit të Detyrimeve, siç interpretohet deri tani nga gjykatat sllovene (shih paragrafin 83 të vendimit kryesor), dhe cakton një periudhë tre-vjeçare për kërkimin e kompensimit sipas këtij titulli. Ata “të fshirë” kërkesat e të cilëve janë refuzuar mund t’i depozitojnë kërkesat e tyre brenda tre viteve nga data e vendimit përfundimtar negativ. Memorandumi shpjegues deklaron që kufizimi i shumës së kompensimit arsyetohet nga situata financiare aktuale në Slloveni dhe nga konsideratat në lidhje me Shtetin e mirëqenies.
24. Kompensim i këtij lloji mund të kërkohet qoftë përmes procedurave administrative, për sa i përket shumës fikse, qoftë përmes procedurave gjyqësore, për sa i përket kërkesave për kompensim shtesë, duke saktësuar që shuma e tërësishme nuk mund ta kalojë trefishin e shumës fikse prej 50 euro për çdo muaj të “fshirjes”.
25. Më tej, ato persona “të fshirë” të cilëve u janë refuzuar kërkesat për kompensim ose u janë pezulluar procedurat nuk mund të depozitojnë kërkesa të reja.
26. Përfituesit të cilëve u takon të marrin mbi 1000 euro kompensim do t’u paguhet menjëherë shuma fillestare 1000 euro, ndërkohë që shumat e tjera do t’u paguhen pjesë-pjesë.
27. Gjithashtu, atyre do t’u takojnë forma të tjera të shpërblimit të drejtë, me qëllim të riintegrimit të tyre në shoqërinë sllovene. Këto përfshijnë pagimin nga autoritetet të sigurimeve shëndetësore të detyrueshme, përfitime dhe trajtim preferencial sipas programeve të sigurimeve shoqërore; qasje në forma të tjera të asistencës publike dhe grante shtetërore; përfitime dhe trajtim preferencial në çështjet e strehimit (qira pa fitim); qasje në sistemin arsimor; dhe, së fundi, trajtim preferencial nën ombrellën e programeve për të huajt që nuk janë shtetas të Shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, me qëllim të integrimit të tyre në jetën kulturore, ekonomike dhe shoqërore në Slloveni.
28. Memorandumi shpjegues deklaron që, deri në korrik 2013, kur u përfundua përgatitja e Projektligjit, 10.046 prej 25.671 “të fshirëve”, përfshirë edhe 5.360 të mitur (shih gjithashtu paragrafët 33 dhe 69 të vendimit kryesor), e kishin zgjidhur statusin e tyre të qëndrimit (2.807 persona përmes marrjes së lejeqëndrimit të përhershëm dhe 7.239 persona përmes marrjes së shtetësisë sllovene). Disa kanë vdekur, dhe një numër i pasaktësuar i “të fshirëve” janë larguar nga Sllovenia.
29. Sipas informacioneve të publikuara në faqen e Internetit të Ministrisë së Brendshme më 25 korrik 2013, janë paraqitur 849 kërkesa për lejeqëndrime të përhershme ex nunx sipas Ligjit mbi Statusin Ligjor i ndryshuar (174 kërkesa janë refuzuar, ndërkohë që janë lëshuar 138 lejeqëndrime; 537 kërkesa ishin në pritje deri në atë datë).
Më tej, janë paraqitur 627 kërkesa për lejeqëndrime të përhershme ex tunc, 417 kërkesa janë pranuar, shtatëdhjetegjashtë kërkesa janë refuzuar ose procedurat janë pezulluar, dhe 134 kërkesa ishin në pritje deri në atë datë.
LIGJI
I. NENI 41 I KONVENTËS
30. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmet materiale
1. Parashtrimet e kërkuesve
(a) Shënime të përgjithshme
31. Më 26 shtator 2012, pas shpalljes së vendimit kryesor, kërkuesit i ndryshuan kërkesat e tyre në lidhje me dëmet materiale. Më 24 qershor 2013 ata konfirmuan që u përmbaheshin kërkesave të tyre ashtu siç ishin të ndryshuara.
Kërkuesin pretenduan kompensim për dëme materiale sipas titujve të ndryshëm për tërë periudhën që nga “fshirja” më 26 shkurt 1992 deri në datën kur ata kishin marrë lejeqëndrimet e përhershme: humbja e të ardhurave në të kaluarën në lidhje me kuotat sociale, të strehimit, të bashkëshortëve/eve dhe të fëmijëve dhe humbja e të ardhurave në të ardhmen në lidhje me të drejtat e pensionit (ata cituan Iatridis kundër Greqisë (shpërblim i drejtë) [GC], nr. 31107/96, § 37, ECHR 2000‑XI, dhe Willis kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 36042/97, §§ 65-70, ECHR 2002‑IV).
32. Kërkuesit theksuan që llogaritja e saktë e shumave të nevojshme për të dëmshpërblyer (restitutio in integrum) humbjet materiale që ata kishin pësuar mund të pengohej nga “natyra thellësisht e pasigurt” e dëmeve që rridhnin nga shkelja (duke cituar Young, James dhe Webster kundër Mbretërisë së Bashkuar (ish-neni 50), 18 tetor 1982, § 11, Seria A nr. 55) dhe kalimin e periudhës kohore prej kur kishte ndodhur “fshirja”. Duke marrë parasysh numrin shumë të madh të aspekteve të pamatshme të vlerësimit të humbjeve të kaluara dhe të ardhme, kërkuesit e lanë në dorën e Gjykatës që ta përcaktonte çështjen sipas mendimit të saj, duke pasur parasysh atë që ishte e barazueshme (duke cituar The Sunday Times kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 1) (ish-neni 50), 6 nëntor 1980, § 15, Seria A nr. 38). Në mënyrë të veçantë, në çështjen Smith dhe Grady kundër Mbretërisë së Bashkuar ((shpërblim i drejtë), nr. 33985/96 dhe nr. 33986/96, §§ 18-21, ECHR 2000‑IX) Gjykata kishte theksuar që nuk kishte arsye të dyshohej që, sikur kërkuesit të mos ishin shkarkuar në shkelje të të drejtave të tyre të Konventës, ata do të kishin vazhduar të kryenin detyrat e tyre në mënyrë efikase, dhe u kishte caktuar atyre shpërblim të drejtë në lidhje me dëme materiale për humbjen e të ardhurave të kaluara dhe të ardhme, duke marrë parasysh perspektivën e karrierës së tyre.
(b) Humbja e të ardhurave në të kaluarën
(i) Kuotat sociale
33. Për sa u përket kuotave sociale, kërkuesit theksuan se ishte e padiskutueshme që ata kishin qenë të ndaluar nga të punuarit në Slloveni apo nga gjetja e mënyrave të jetesës për arsye të cilat ishin jashtë kontrollit dhe ndikimit të tyre dhe që ata nuk kanë mundur të kenë qasje në kuota të caktuara sociale të parashikuara nga legjislacioni përkatës.
34. Secili prej kërkuesve kërkoi një shumë në përputhje me atë që u takon në lidhje me kuotën sociale mujore. Me qëllim të përllogaritjes së saj në tërësi, ata morën si bazë shumën standarde mujore 260 euro të cilën ata do të kishin mundur ta merrnin nëse nuk do të kishte ndodhur “fshirja”, të shumëzuar me numrin e muajve të “fshirjes”, me interes. Kjo shumë përputhej me kuotën sociale të caktuar nga Ligji për Asistencën Sociale Financiare (Zakon o socialno varstvenih prejemkih, Gazeta Zyrtare, nr. 61/2010), i lexuar së bashku me seksionin 152(1) të Ligjit për Bilancin Fiskal (Zakon za uravnoteženje javnih financ, Gazeta Zyrtare, nr. 40/2012).
35. Në përgjigje të parashtrimeve të Qeverisë, kërkuesit konsideruan që qëndrimi i Qeverisë – sipas së cilës shuma mujore standarde duhet të ishte vetëm 230.61 euro, siç ishte e zbatueshme deri në dhjetor 2011 dhe duhet të rregullohej duke iu përshtatur çmimeve të konsumatorit deri më 30 qershor 2013 – ishte i pranueshëm (shih paragrafin 55 poshtë).
36. Më tej, legjislacioni parashikonte kuota sociale në lidhje me bashkëshortin/en dhe fëmijët për familjet me të ardhura të mjaftueshme dhe më pas u caktua shuma 208 euro për fëmijën e parë dhe 182 euro të tjera për çdo fëmijë tjetër, ndërkohë që një të rrituri tjetër do t’i takonin 130 euro.
37. Për sa i përket të drejtës së kontestuar të kërkuesit Z. Berisha për miratimin e kërkesave të tij për tërë periudhën e “fshirjes” (shih paragrafët 56 dhe 71 poshtë), kërkuesit deklaruan që Qeveria nuk i kishte saktësuar shumat që ai pretendohej të kishte marrë në Gjermani pas vitit 1998. Atij do t’i takonte të paktën diferenca mes dy shumave për atë periudhë, si dhe shuma e tërësishme para asaj periudhe, duke pasur parasysh mungesën e provave përfundimtare që tregonin se ai faktikisht kishte marrë para në Gjermani dhe, nëse po, sa. Z. Berisha po ashtu do t’i takonin kuotat sociale në lidhje me bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tij.
38. Për sa i përket asaj që i takon kërkuesit Z. Ademi sipas këtij titulli, kërkuesit parashtruan që deklarata nga vajza e tij, gjatë procedurave administrative, që kërkuesi kishte marrë kuota sociale gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Gjermani (shih paragrafët 56 dhe 75-76 poshtë) nuk ishte bazë e mjaftueshme për ta privuar atë nga të drejtat e tij.
(ii) Kuota për strehim
39. Në lidhje me kuotat e strehimit, kërkuesit kërkuan 25% të shumës së kuotës sociale që do t’u kishte takuar atyre sipas Ligjit për Sigurimet Shoqërore të vitit 2007 (Zakon o socialnem varstvu, Gazeta Zyrtare, nr. 3/2007).
40. Kërkuesit e kundërshtuan argumentin e Qeverisë që ata nuk i përmbushnin kushtet statusore për faktin se vetëm ata banorë që kishin marrë “banim me mbrojtje të veçantë” ose “të drejtë banimi” (stanovanjska pravica – shih Berger-Krall dhe të Tjerë kundër Sllovenisë (dec.), nr. 14717/04, § 4, 28 maj 2013) kishin të drejtë për kuotë strehimi dhe, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Strehim të vitit 2003, nëse e kishin shtetësinë sllovene (shih paragrafin 57 poshtë). Kërkuesit u shprehën që “banimi me mbrojtje të veçantë” nuk ishte kusht sipas Ligjit për Sigurimet Shoqërore të vitit 1992 (Zakon o socialnem varstvu, Gazeta Zyrtare, nr. 54/1992) për dhënien e kuotës së strehimit. Duke pranuar që Ligji për Strehimin i vitit 2003 (Stanovanjski zakon, Gazeta Zyrtare, nr. 69/2003) kishte shtuar kushtin e shtetësisë sllovene, ata diskutuan që, sikur të mos ishin fshirë, ata do ta kishin fituar shtetësinë sllovene deri në atë datë.
(iii) Shtesat për fëmijë
41. Për sa u përket shtesave për fëmijë, aty ku janë të zbatueshme, kërkuesit deklaruan që atyre do t’u kishin takuar ato sipas Ligjit për Ushtrimin e të Drejtave në Fonde Publike (Zakon o uveljavljanju pravic iz javnih sredstev, Gazeta Zyrtare, nr. 62/2012). Shtesat për fëmijë për familjet pa të ardhura për momentin ishte 114.30 euro për fëmijën e parë, 125.73 euro për fëmijën e dytë dhe 137.18 euro për çdo fëmijë në vijim. Shtesa për fëmijë, e cila dallonte nga kuota sociale në lidhje me fëmijë (shih paragrafin 36 lart), u akordohej edhe familjeve që merrnin kuota sociale edhe atyre me të ardhura të ulëta.
42. Në përgjigje ndaj deklaratës së Qeverisë që kërkesat e Z. Berisha në lidhje me pesë fëmijët e tij do të ishin arsyetuar vetëm për periudhën gjatë së cilës ai ka qëndruar me familjen e tij në Slloveni (shih paragrafët 59 dhe 71-74 poshtë), kërkuesit kundërshtuan duke u shprehur se atij i kishin takuar ato për tërë periudhën, duke marrë parasysh moshën e fëmijëve.
43. Për sa u përket kërkesave të Znj. Mezga në lidhje me dy fëmijët e saj më të rritur që jetonin në Kroaci, në përgjigje të argumentit të Qeverisë që asaj nuk do t’i kishin takuar shtesat për fëmijë meqenëse fëmijët e saj kishin jetuar në kujdestari familjare në Kroaci (shih paragrafin 60 poshtë), kërkuesit kundërshtuan duke u shprehur se asaj i takonte kompensim për shtesat e fëmijëve në lidhje me të dy fëmijët e saj, vajzën Ines dhe djalin Enes, sepse, sikur kërkuesja të mos ishte “fshirë”, fëmijët do të kishin jetuar me të në Slloveni dhe do të kishin marrë shtesat për fëmijë.
(c) Humbja e të ardhurave në të ardhmen
Të drejtat e pensionit
44. Në lidhje me humbjen e të ardhurave në të ardhmen, kërkuesit parashtruan që ata nuk kishin pasur mundësi të paguanin kontribute në skemën pensionale dhe nuk u takonte pension sipas legjislacionit kombëtar. Rrjedhimisht, ishte e mundur të përcaktohej humbja minimale e të ardhurave të tyre të ardhshme duke iu referuar pensionit minimal i cili do t’u kishte takuar atyre.
45. Sipas Ligjit të Sigurimeve për Pensione dhe Aftësi të Kufizuara (Zakon o pokojninskem in invalidskem zavarovanju, Gazeta Zyrtare, nr. 106/99, i ndryshuar), pensioni minimal bazë për momentin ishte 551.16 euro për personat që kishin punuar të paktën pesëmbëdhjetë vjet. Kërkuesve do t’u kishte takuar një pjesë e asaj shume në të ardhmen, që për momentin kishte vlerën 192.20 euro për burrat dhe 209.44 euro për gratë. Në llogaritjen e shumave totale të kërkuara sipas këtij titulli, kërkuesit morën në konsideratë jetëgjatësinë e pritshme për momentin (73.83 vjeç për burrat dhe 81.36 vjeç për gratë).
46. Deklarata e Qeverisë që të gjithë personave me lejeqëndrim të përhershëm të cilët banonin në Slloveni, përfshirë të huajt, dhe personave të cilët nuk kishin fituar të drejtën e pensionit u takonte mbështetje financiare ose mbështetje pensionale minimale (shih paragrafët 63-64 poshtë) u interpretua nga kërkuesit si vendim që ata do të merrnin mbështetje pensionale minimale kur të përmbushnin kushtin e moshës (gjashtëdhjetetre vjeç për gratë dhe gjashtëdhjetepesë për burrat), nëse nuk do t’i plotësonin kushtet për pension ose nëse nuk do të kishin të ardhura apo prona në shumën 460 euro.
(d) Kërkuesit individualisht
(i) Z. Mustafa Kurić
47. Kërkuesi Z. Kurić kishte mbetur pa status ligjor që nga 26 shkurti 1992 deri më 2 nëntor 2010 (tetëmbëdhjetë vjet, tetë muaj e shtatë ditë).
Pra, ai kishte kaluar një periudhë prej 224 muajsh pa status të rregulluar.
Kërkuesi kërkoi 58.240 euro për kuotat sociale dhe 14.560 euro për kuotat e strehimit.
Përveç kësaj, ai kërkoi 9.259,20 euro në lidhje me të drejtat e pensionit. Duke marrë parasysh që mosha e kërkuesit (shtatëdhjeteshtatë vjeç) tashmë ishte më e lartë sesa jetëgjatësia e pritshme për burra, u zbatua jetëgjatësia e pritshme e grave.
Në tërësi, kërkuesi kërkoi 82.059,20 euro në lidhje me dëme materiale.
(ii) Znj. Ana Mezga
48. Kërkuesja Znj. Mezga kishte humbur statusin e saj ligjor më 26 shkurt 1992 dhe i ishte dhënë lejeqëndrim i përkohshëm, si anëtare e familjes së një shtetasi slloven, më 13 shtator 2007 dhe lejeqëndrim i përhershëm më 1 mars 2011 (pas nëntëmbëdhjetë vjetëve e dy ditëve). Kështu, ajo kishte kaluar një periudhë totale prej 186 muajsh pa status të rregulluar dhe kishte pritur 228 muaj para se të merrte lejeqëndrimin e përhershëm, ndërkohë që me lejeqëndrim të përkohshëm asaj nuk i takonte kuota sociale.
Kërkuesja kërkoi 59.280 euro për kuotat sociale dhe 14.820 euro për kuotat e strehimit.
Përveç kësaj, ajo kërkoi shtesa për fëmijët, 13.373,10 euro për vajzën Ines dhe 27.157,68 euro për djalin Enes, fëmijët e saj më të mëdhenj që jetonin në Kroaci.
Së fundi, kërkuesja kërkoi 85.451,52 euro në lidhje me të drejtat e pensionit.
Në tërësi, kërkuesja kërkoi 200.082,30 euro në lidhje me dëme materiale.
(iii) Z. Tripun Ristanović
49. Kërkuesi Z. Ristanović kishte mbetur pa status ligjor nga 26 shkurti 1992 deri më 10 mars 2011 (katërmbëdhjetë vjet, pesë muaj e njëzet e pesë ditë si i mitur deri më 20 gusht 2006 dhe katër vjet, gjashtë muaj e njëzet ditë si i rritur). Kështu, ai kishte kaluar një periudhë totale prej 228 muajsh pa status të rregulluar.
Kërkuesi kërkoi 36.192 euro kuota sociale si fëmijë dhe 14.040 euro si i rritur, si dhe 3.510 euro kuota strehimi.
Përveç kësaj, kërkuesi, i cili ishte njëzet e katër vjeç në kohën e parashtresës së tij, kërkoi 6.386,58 euro në lidhje me kontributet pensionale mujore që ai mund të kishte paguar.
Në total, kërkuesi kërkoi 60.128,58 euro për dëme materiale.
(iv) Z. Ali Berisha
50. Kërkuesi Z. Berisha kishte mbetur pa status ligjor nga 26 shkurti 1992 deri më 19 tetor 2010 (tetëmbëdhjetë vjet, shtatë muaj e njëzet ditë). Kështu ai kishte kaluar një periudhë të plotë prej 223 muajsh pa status të rregulluar.
Kërkuesi kërkoi 57.980 euro kuota sociale për veten e tij dhe 22.100 euro në lidhje me bashkëshorten e tij, si dhe 14.495 euro kuota strehimi.
Përveç kësaj, ai kërkoi kuota të fëmijëve për pesë fëmijët e tij si vijon: 17.602,20 euro për djalin Dem, 16.973,55 euro për djalin Egzon, 15.775,70 euro për vajzën Egzona, 10.974,40 euro për djalin Haxhi dhe 6.996,18 euro për djalin Valon.
Në fund, kërkuesi kërkoi 71.758,80 euro në lidhje me të drejtat pensionale.
Në total, kërkuesi kërkoi 234.655,83 euro për dëme materiale.
(v) Z. Ilfan Sadik Ademi
51. Kërkuesi Z. Ademi kishte mbetur pa status ligjor nga 26 shkurti 1992 deri më 20 prill 2011 (nëntëmbëdhjetë vjet, një muaj e njëzet e një ditë). Kështu ai kishte kaluar një periudhë të plotë prej 229 muajsh pa status të rregulluar.
Kërkuesi kërkoi 59.540 euro për kuotat sociale dhe 14.885 euro për kuotat e strehimit.
Përveç kësaj, kërkuesi kërkoi 32.407,20 euro në lidhje me të drejtat pensionale.
Në total, kërkuesi kërkoi 106.832,20 euro për dëme materiale.
(vi) Z. Zoran Minić
52. Kërkuesi Z. Minić kishte mbetur pa status ligjor prej 26 shkurtit 1992 deri më 4 maj 2011 (nëntëmbëdhjetë vjet, dy muaj e pesë ditë). Kështu ai kishte kaluar një periudhë të plotë prej 230 muajsh pa status të rregulluar.
Kërkuesi kërkoi 59.800 euro për kuotat sociale dhe 14.950 euro për kuotat e strehimit.
Përveç kësaj, kërkuesi kërkoi 78.703,20 euro në lidhje me të drejtat pensionale.
Në total, kërkuesi kërkoi 153.453,20 euro në lidhje me dëmet materiale.
2. Parashtrimet e Qeverisë përgjegjëse
(a) Vërejtje të përgjithshme
53. Në parashtresën e saj të 24 qershorit 2013 Qeveria deklaroi që situatat e kërkuesve individualë dallonin shumë dhe që ndonjërit prej tyre kishte gjasa t’i takonte kompensim mbi bazën e kuotave të ndryshme sociale dhe/ose shtesave për fëmijë. Pavarësisht nga kjo, lidhja shkakësore mes dëmit të pretenduar dhe shkeljes së gjetur ishte e vështirë të vërtetohej. Kishte shumë rrethana të cilat ishin të paqarta dhe të pasigurta.
54. Përveç kësaj, legjislacioni i zbatueshëm vazhdonte të ndryshonte dhe të përfshinte kufizime të reja. Më tej, kushtet e jetesës së kërkuesve ishin duke ndryshuar dhe nuk ishte e qartë nëse ata do t’i përmbushnin të gjitha kriteret e përcaktuara në një pjesë të caktuar të legjislacionit. Së fundi, duhet të merrej në konsideratë si duhet situata ekonomike në Slloveni gjatë vlerësimit të shumave të cilat me gjasë do t’u takonin kërkuesve dhe gjatë përgatitjes së propozimit konkret për ta (shih nën “Kërkuesit individualë”, paragrafët 65-78 poshtë).
(b) Humbja e të ardhurave në të kaluarën
(i) Kuota sociale
55. Qeveria shënoi që kërkuesit kishin kërkuar një shumë që përputhej me totalin e pretenduar të asaj që u takonte për sa u përkiste kuotave sociale mujore për periudhën e “fshirjes”, duke marrë si bazë shumën standarde mujore 260 euro (shih paragrafin 34 lart). Megjithatë, para hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Ligjin për Asistencën Sociale Financiare në vitin 2012, shuma bazë ishte fiksuar në 230.61 euro. Sipas këndvështrimit të Qeverisë, shuma standarde minimale e kuotës sociale e cila potencialisht u takonte kërkuesve mund të ishte vetëm 230.61 euro, shuma e zbatueshme deri më 31 dhjetor 2011 dhe e rregulluar në përputhje me inflacionin. Sidoqoftë, mbi atë bazë nuk u bë asnjë ofertë konkrete meqenëse shumat faktike të propozuara nga Qeveria për kërkuesit ishin më të ulëta në masë të konsiderueshme, pa u dhënë ndonjë shpjegim rreth mënyrës se si ishin llogaritur ato shuma (shih paragrafët 66, 68, 70, 74, 76 dhe 78 poshtë).
56. Më tej, Qeveria shënoi që disa prej kërkuesve nuk do t’u takonin shumat për të tërë periudhën e “fshirjes” për shkak të rrethanave të tyre personale. Përveç kësaj, duheshin marrë parasysh edhe fakte dhe ligje të tjera relevante për të përcaktuar shumat të cilat potencialisht do t’u takonin kërkuesve. Ministria e Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta (“Ministria”) kishte përgatitur llogaritjet e kuotave sociale të cilat potencialisht do t’u takonin kërkuesve nëse të gjitha kushtet do të plotësoheshin, duke marrë si bazë shumat mujore për persona beqarë të rregulluara sipas inflacionit.
(ii) Kuotat e strehimit
57. Për sa i përket kuotës së strehimit, Qeveria argumentoi që pretendimet e kërkuesve sipas këtij titulli ishin të pabaza. Sipas Ligjit për Sigurimet Shoqërore të vitit 1992, vetëm atyre banorëve – pavarësisht nëse janë apo jo shtetas sllovenë – të cilët kishin marrë “banim me mbrojtje të veçantë” para 19 tetorit 1991 u takonin këto kuota, nëse ata kishin bërë kërkesë për këtë qëllim deri më 25 shkurt 1992. Dhe, edhe sikur këto kërkesa të ishin pranuar, kërkuesve do t’u kishte takuar kuota e strehimit vetëm deri më 13 tetor 2003, kur Ligji për Strehimin i vitit 2003 – i cili përcaktonte shtetësinë si kusht për marrjen e një kuote të tillë – kishte hyrë në fuqi.
Sipas të dhënave të ofruara nga fondet kompetente për strehim, prej të gjithë kërkuesve, vetëm Z. Kurić kishte arritur të merrte “banim me mbrojtje të veçantë”, megjithëse ai nuk kishte arritur të bënte kërkesë për kuotën e strehimit deri në vitin 1992.
Sido që të jetë, lidhja shkakësore mes shkeljes së të drejtave që u takojnë kërkuesve sipas Konventës dhe dëmit të pretenduar të pësuar sipas këtij titulli nuk ishte konstatuar.
(iii) Shtesat për fëmijë
58. Për sa u përket shtesave për fëmijë, Qeveria shënoi që kërkuesi Z. Berisha kishte bërë kërkesë sipas këtij titulli për pesë fëmijët e tij dhe kërkuesja Znj. Mezga për dy fëmijët e saj më të rritur që jetonin në Kroaci. Shtesat për fëmijë fillimisht kishin qenë të rregulluara nga Ligji për të Ardhurat Familjare (Zakon o družinskih prejemkih, Gazeta Zyrtare, nr. 65/93) dhe më pas nga Ligji për Mbrojtjen Prindërore dhe Shtesat Familjare (Zakon o starševskem varstvu in družinskih prejemkih, Gazeta Zyrtare, nr. 97/2001). Sipas seksionit 67 të këtij Ligjit të fundit, e drejta për shtesa për fëmijë i akordohej njërit prej prindërve sipas kushteve të caktuara.
59. Qeveria pranoi që kërkesat e kërkuesit Z. Berisha mund të arsyetoheshin pjesërisht, për sa i përket periudhave gjatë të cilave ai kishte qëndruar me familjen e tij në Slloveni (shih paragrafët 71-73 poshtë).
60. Në lidhje me kërkuesen Znj. Mezga, Qeveria argumentoi që asaj nuk do t’i kishin takuar shtesat për fëmijë as përpara e as pas hyrjes në fuqi më 1 janar 2002 të Ligjit për Mbrojtjen Prindërore dhe Shtesat Familjare, i cili e hiqte shtesën për fëmijët që vendoseshin në kujdestari familjare, meqenëse dy fëmijët e saj më të rritur ndodheshin në kujdestari familjare në Kroaci e jo në Slloveni. Ajo nuk kishte kërkuar asnjëherë shtesa për fëmijët e saj në Slloveni, dhe familja kujdestare kroate kishte marrë shtesa për fëmijët në Kroaci në lidhje me djalin e saj Enes.
(c) Humbja e të ardhurave në të ardhmen
Të drejtat e pensionit
61. Për sa i përket humbjes së të ardhurave në të ardhmen, Qeveria vërejti që kërkuesit kishin kërkuar pensionin më të ulët i cili do t’u kishte takuar atyre nëse nuk do të ishin hequr nga Regjistri i Banorëve të Përhershëm. Megjithatë, sipas pikëpamjes së Qeverisë, kërkesat e tyre në lidhje me kuotat sociale përjashtonin çdo kërkesë për humbjen e të ardhurave në të ardhmen për sa u përket të drejtave të pensionit. Lidhja shkakësore e gjetur mes shkeljes së të drejtave të kërkuesve sipas Konventës dhe dëmi i pretenduar që ata kishin pësuar sipas këtij titulli nuk ishte konstatuar.
62. Sipas Ligjit për Sigurimet e Pensionit dhe Paaftësisë, pagimi i kontributeve pensionale ishte i detyrueshëm për individë të cilët ishin në marrëdhënie pune si të punësuar, të vetëpunësuar apo në mënyra të tjera. Një individi i takonin të drejta pensionale vetëm nëse ai/ajo kishte paguar kontribute për të paktën pesëmbëdhjetë vjet dhe pas mbushjes së kushtit të parashikuar të moshës, ndërkohë që ky i fundit është rritur vazhdimisht gjatë viteve të fundit dhe pritet të rritet me shpejtësi.
63. Të papunët nuk ishin të detyruar të paguanin kontribute pensionale dhe atyre nuk u takonin sigurime pensioni por sigurime shoqërore. Deri sa persona të tillë përmbushnin kushtin e moshës (gjashtëdhjetetre vjeç për femra dhe gjashtëdhjetepesë për meshkuj), sigurimet shoqërore ofroheshin në formën e kuotave sociale. Pas arritjes së moshës së parashikuar, cilido që nuk kishte të drejtë për pension apo pensioni i të cilit ishte tepër i ulët fitonte të drejtën për mbështetje me të ardhura ose për mbështetje minimale pensionale. Gjithashtu edhe të huajt me lejeqëndrim të përhershëm që banonin në Slloveni mund ta fitonin të drejtën për mbështetje minimale pensionale. Kufiri i të ardhurave mujore që përcaktonte zgjedhshmërinë për mbështetje minimale pensionale u caktua në 460 euro.
64. Si përfundim, nga njëra anë, personat të cilët nuk kishin të ardhura ose pasuri që arrinte deri në ose kalonte 460 euro dhe të cilët përmbushnin të gjitha kushtet e tjera të përshtatshme mund të fitonin të drejtën për mbështetje minimale pensionale. Nga ana tjetër, kërkuesit nuk ishin të zgjedhshëm për të drejta pensionale, në kundërshtim me atë që kishin deklaruar ata.
(d) Kërkuesit individualisht
(i) Z. Mustafa Kurić
65. Për sa i përket kuotës sociale, Qeveria vërejti që kërkuesi Z. Kurić kishte qenë i punësuar deri në fillim të vitit 2000, fakt i konfirmuar nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik. Megjithatë, ai nuk kishte paguar kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore mes viteve 1992 dhe 2000. Niveli i të ardhurave të tij tregonte që atij nuk do t’i kishte takuar kuota sociale deri më 1 korrik 1999 por potencialisht do t’i kishte takuar pas asaj date deri në marrjen e lejeqëndrimit të përhershëm; potencialisht atij do t’i takonte shuma 29.479,07 euro.
66. Qeveria ishte e gatshme t’i paguante kërkuesit 8.843,73 euro sipas këtij titulli.
(ii) Znj. Ana Mezga
67. Për sa i përket kuotës sociale, Qeveria vërejti që kërkuesja Znj. Mezga ishte bërë e papunë më 30 nëntor 1992 dhe potencialisht do t’i kishte takuar kuota sociale pasi kishte përfunduar së marri pagesën e papunësisë. Përveç kësaj, partneri i kërkueses dhe dy fëmijët e saj më të vegjël që jetonin në Slloveni kanë marrë kuota sociale që nga viti 1999. Për atë periudhë asaj do t’i kishte takuar kuota sociale si anëtare e familjes së tyre. Sipas llogaritjeve të Ministrisë, duke marrë parasysh regjimet e ndryshme sociale, kërkueses Znj. Mezga potencialisht do t’i takonte shuma 35.359,94 euro.
68. Qeveria ishte e gatshme t’i paguante kërkueses 10.607,98 euro sipas këtij titulli.
(iii) Z. Tripun Ristanović
69. Për sa i përket kuotës sociale, Qeveria deklaroi që kërkuesi Z. Ristanović, i cili kishte jetuar në Serbi për disa vite para se të kthehej në Slloveni (shih paragrafët 132-133 të vendimit kryesor), nën dritën e kritereve përkatëse, potencialisht do t’i takonte shuma 17.404,25 euro.
70. Qeveria ishte e gatshme t’i paguante kërkuesit 5.112,08 euro sipas këtij titulli.
(iv) Z. Ali Berisha
71. Për sa i përket kuotës sociale, Qeveria argumentoi që kërkuesi Z. Berisha kishte marrë kuota të ngjashme nga autoritetet gjermane. Me kërkesë të autoriteteve sllovene, autoritetet kompetente gjermane kishin konfirmuar që kërkuesi kishte marrë kuota sociale që nga viti 1998, përveç periudhave prej vitit 2001 deri në vitin 2005 dhe në vitin 2006, dhe, për më tepër, që ai kishte marrë para nga burime të ndryshme që prej vitit 1991 për qëllime të sigurimeve pensionale, pa saktësuar shumat dhe periudhat përkatëse. Mbi bazën e të dhënave në dispozicion të Ministrisë, kërkuesit do t’i takonte shuma 3.790,43 euro në lidhje me veten e tij dhe 2.653,30 euro në lidhje me bashkëshorten e tij, për periudhën gjatë së cilës ai kishte jetuar në Qendrën e Azilkërkuesve në Slloveni (shih paragrafin 147 të vendimit kryesor).
72. Për sa u përket shtesave për fëmijë, kërkuesit do t’i takonin 8.625,33 euro në lidhje me pesë fëmijët e tij.
73. Prandaj, kërkuesit potencialisht do t’i takonte shuma 15.069,06 euro në lidhje me kuotat sociale dhe shtesat për fëmijë.
74. Qeveria ishte e gatshme t’i paguante kërkuesit 4.520,72 euro sipas këtij titulli.
(v) Z. Ilfan Sadik Ademi
75. Për sa i përket kuotës sociale, duke marrë parasysh faktin që vajza e kërkuesit Z. Ademi kishte deklaruar gjatë procedurave administrative që ai kishte marrë asistencë sociale nga autoritetet gjermane, Qeveria argumentoi që atij nuk do t’i takonte asnjë kuotë sociale. Autoritetet sllovene kishin bërë hulumtime me qendrën gjermane përkatëse të mirëqenies sociale, e cila nuk kishte kthyer përgjigje. Megjithatë, sipas të dhënave të ofruara nga autoriteti gjerman i sigurimeve pensionale, kërkuesi kishte qenë i punësuar në Gjermani në vitin 2003 dhe 2004 dhe kishte marrë pagesë papunësie në vitin 2005.
76. Qeveria nuk ishte e gatshme t’i jepte shpërblim kërkuesit sipas këtij titulli.
(vi) Z. Zoran Minić
77. Për sa i përket kuotës sociale, sipas të dhënave në dispozicion të Qeverisë, kërkuesi Z. Minić kishte qenë i punësuar në Podujevë (Serbi, tani Kosovë) nga 26 shkurti 1992 deri më 6 prill 1999 (shih paragrafin 176 të vendimit kryesor). Prandaj, atij nuk do t’i kishin takuar kuota sociale për atë periudhë. Për periudhën e mbetur, atij potencialisht do t’i takonin 31.463,38 euro.
78. Qeveria ishte e gatshme t’i paguante kërkuesit 9.439,02 euro sipas këtij titulli.
3. Vendimi i Gjykatës
(a) Parime të përgjithshme
79. Dhoma e Madhe përsërit që një vendim në të cilin Gjykata gjen shkelje i imponon Shtetit përgjegjës një detyrim ligjor për t’i dhënë fund shkeljes dhe për të kompensuar pasojat e saj në mënyrë që ta kthejë sa më shumë që të jetë e mundur situatën ashtu siç ka qenë para shkeljes.
80. Shtetet Kontraktuese që janë palë në një çështje parimisht janë të lirë të zgjedhin mënyrën në të cilën do të veprojnë në përputhje me një vendim ku Gjykata ka gjetur shkelje. Kjo liri veprimi në caktimin e mënyrës së ekzekutimit të vendimit pasqyron lirinë e zgjedhjes që është e lidhur ngusht me detyrimin parësor të Shteteve Kontraktuese sipas Konventës për të siguruar të drejtat dhe liritë e garantuara (neni 1). Nëse natyra e shkeljes lejon restitutio in integrum, është në dorë të Shtetit përgjegjës që ta konkretizojë atë, ndërkohë që Gjykata nuk ka as pushtet as mundësi praktike për ta bërë vetë një gjë të tillë. Nëse, nga ana tjetër, ligjet kombëtare nuk lejojnë – ose lejojnë vetëm pjesërisht – ndreqjen, neni 41 i jep fuqi Gjykatës që t’i akordojë palës së dëmtuar një shpërblim të atillë që duket se është i përshtatshëm (shih, mes shumë autoriteteve, Papamichalopoulos dhe të Tjerë kundër Greqisë (ish-neni 50), 31 tetor 1995, § 34, Seria A nr. 330‑B; Iatridis (shpërblim i drejtë), cituar lart, §§ 32-33; dhe Guiso-Gallisay kundër Italisë (shpërblim i drejtë) [GC], nr. 58858/00, § 90, 22 dhjetor 2009).
81. Për sa u përket kërkesave të kërkuesve për humbje materiale, praktika gjyqësore e Gjykatës tregon që duhet të ketë një lidhje të qartë shkakësore mes dëmit të pretenduar nga kërkuesit dhe shkeljes së Konventës. Në çështje të caktuara, kjo mund të përfshijë kompensimin në lidhje me humbjen e të ardhurave (shih, mes shumë autoriteteve, Barberà, Messegué dhe Jabardo kundër Spanjës (ish-neni 50), 13 qershor 1994, §§ 16-20, Seria A nr. 285‑C, dhe Çakıcı kundër Turqisë [GC], nr. 23657/94, § 127, ECHR 1999‑IV).
82. Llogaritja e saktë e shumave të nevojshme për të bërë kompensimin e plotë (restitutio in integrum) në lidhje me humbjet materiale të pësuara nga kërkuesit mund të pengohet nga natyra vetvetiu e pasigurt e dëmit që rrjedh nga shkelja (shih, mutatis mutandis, Young, James dhe Webster (ish-neni 50), cituar lart, § 11). Sidoqoftë, shpërblimi mund të vendoset të akordohet pavarësisht nga numri i madh i aspekteve të pamatshme në vlerësimin e humbjeve të ardhme, megjithëse sa më i madh të jetë harku kohor në fjalë, aq më e pasigurt bëhet lidhja mes shkeljes dhe dëmit. Çështja që duhet vendosur në raste të tilla është niveli i shpërblimit të drejtë, në lidhje me humbjet materiale të së kaluarës dhe të së ardhmes, çka është e nevojshme të vendoset për secilin kërkues, ndërkohë që kjo vendoset nga Gjykata me vendim të saj, duke marrë parasysh barazueshmërinë (shih, mutatis mutandis, The Sunday Times (nr. 1) (ish-neni 50), cituar lart § 15; Smith dhe Grady (shpërblim i drejtë), cituar lart, §§ 18-19, ECHR 2000-IX; Z dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 29392/95, §§ 119-120, ECHR 2001‑V; dhe Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano kundër Italisë [GC], nr. 38433/09, §§ 218-222, ECHR 2012).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në çështjen në fjalë
83. Dhoma e Madhe konstatoi në vendimin kryesor që kërkuesit të cilët, para shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë, kishin qenë me banim të ligjshëm në Slloveni për disa vjet, si ish-shtetas të RSFJ-së, kishin gëzuar shumë të drejta sociale dhe politike atje. Për shkak të “fshirjes” së tyre më 26 shkurt 1992 nga Regjistri i Banorëve të Përhershëm, çka i kishte privuar ata nga statusi i tyre ligjor, ata kishin përjetuar disa pasoja të pafavorshme, siç janë shkatërrimi i dokumenteve të identitetit, humbja e mundësive të punësimit, humbja e sigurimeve shëndetësore, pamundësia e përtëritjes së dokumenteve të identitetit apo patentave të shoferit, dhe vështirësitë në sigurimin e të drejtave pensionale.
84. Dhoma e Madhe gjithashtu theksoi që kërkuesit, të cilët nuk posedonin asnjë dokument identifikimi slloven, për shkak të “fshirjes” ishin lënë në një zbrazëtirë ligjore, e rrjedhimisht në një situatë lëndueshmërie, pasigurie ligjore dhe pasigurie të përgjithshme, për një periudhë të gjatë, e cila shkonte pothuaj deri në njëzet vjet për të gjithë ata. Gjykata theksoi peshën e pasojave të “fshirjes” për ta (shih paragrafët 267, 302-303, 356 dhe 412 të vendimit kryesor).
85. Gjykata Kushtetuese vendosi në vendimin[3] e saj drejtues të 3 prillit 2003 që statusi i banorit të përhershëm ishte një aspekt i rëndësishëm i ndërlidhur për kërkimin e të drejtave të caktuara dhe përfitimeve ligjore të caktuara, siç janë të drejtat e pensionit ushtarak, kuotat sociale dhe përtëritja e patentave të shoferit, të cilat “të fshirët” e kishin pasur të pamundur t’i merrnin (shih paragrafët 59 dhe 215 të vendimit[4] kryesor.
86. Sipas pikëpamjes së Dhomës së Madhe, është e qartë që humbja e statusit ligjor si e tillë e rezultuar nga “fshirja” ka sjellë pasoja materiale domethënëse për të gjithë kërkuesit, përfshirë humbjen e qasjes në një gamë të gjerë të të drejtave sociale dhe politike dhe përfitimesh ligjore, siç janë dokumentet e identifikimit, patenta e shoferit, sigurimet shëndetësore dhe arsimi, si dhe humbja e punësimit dhe mundësive të tjera, deri sa atyre iu dhanë lejeqëndrimet e përhershme (shih paragrafët 59, 215, 302 dhe 356 të vendimit kryesor).
87. Dhoma e Madhe shënon, në këtë aspekt, që si kërkuesit ashtu edhe Qeveria nënvizuan vështirësitë e veçanta në rastin konkret në bërjen e një vlerësimi të saktë të dëmeve materiale të pësuara nga kërkuesit si pasojë e “fshirjes”, për shkak të natyrës vetvetiu të pasigurt të pasojave të saj dhe për shkak të kalimit të kohës kur ajo kishte ndodhur (shih, mutatis mutandis, Lustig-Prean dhe Beckett kundër Mbretërisë së Bashkuar (shpërblim i drejtë), nr. 31417/96 dhe nr. 32377/96, § 22, 25 korrik 2000, dhe Lallement kundër Francës (shpërblim i drejtë), nr. 46044/99, §§ 16-17, 12 korrik 2003). Palët ishin dakord në lidhje me këtë pikë (shih paragrafët 31-32 dhe 53-54 lart).
88. Dhoma e Madhe nuk ka si të mos jetë dakord me pohimin e bërë nga palët që llogaritja e saktë e shumave të nevojshme për të bërë kompensimin e plotë (restitutio in integrum) në lidhje me humbjet materiale të pësuara nga kërkuesit pengohet nga natyra vetvetiu e pasigurt e dëmeve të rrjedhura nga shkelja (shih Young, James dhe Webster (ish-neni 50), cituar lart, § 11).
89. Duke pasur parasysh që kërkuesit u hoqën nga Regjistri i Banorëve të Përhershëm pa paralajmërim më 26 shkurt 1992 dhe që ata mësuan për “fshirjen” e tyre vetëm rastësisht (shih paragrafët 29 dhe 343 të vendimit kryesor), Dhoma e Madhe konsideron që ekziston një lidhje shkakësore shumëplanëshe mes masës së paligjshme dhe dëmeve materiale të pësuara nga kërkuesit, ku efektet janë shtrirë në kohë dhe kanë pasur efekte të tjera anësore. Për më tepër, pasojat e “fshirjes” janë rënduar nga periudha e gjatë kohore gjatë së cilës statusi ligjor i kërkuesve ka qenë i parregulluar. Kështu, dëmet e pësuara për atë arsye nuk lënë mundësi për vlerësime të sakta.
90. Rrjedhimisht, çështja që duhet të vendoset nga Dhoma e Madhe ka të bëjë me të drejtën e kërkuesve për shpërblim të drejtë – dhe, nëse është me vend, shumën – në lidhje me dëmet materiale sipas titujve në vijim: kuotat sociale dhe të strehimit, shtesat për fëmijë dhe të drejtat e pensionit, ku çështjet duhet të vendosen nga Gjykata sipas mendimit të saj, duke pasur parasysh barazueshmërinë (shih, mutatis mutandis, Z dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar lart, §§ 121-122, dhe Lordos dhe të Tjerë kundër Turqisë (shpërblim i drejtë), nr. 15973/90, §§ 64-70, 10 janar 2012).
(c) Humbja e të ardhurave në të kaluarën
(i) Kuotat sociale
91. Dhoma e Madhe shënon që kërkesat e kërkuesve në lidhje me kuotat sociale nuk u kontestuan në parim nga Qeveria. Megjithatë, kjo e fundit pati kundërshtime për disa kërkues në lidhje me periudhat gjatë të cilave ata kanë punuar, ose kanë marrë pagesa të papunësisë, ose është dukur se kanë jetuar jashtë vendit dhe kanë marrë kuota sociale atje ose kanë punuar atje. Qeveria gjithashtu kontestoi shumat e kërkuara sipas këtij titulli (shih paragrafët 56 dhe 65-78 lart).
92. Dhoma e Madhe vëren se ka qenë “fshirja” e emrave të kërkuesve ajo që i ka dhënë shkas shkeljes së gjetur nga Gjykata në vendimin kryesor e në lidhje me të cilin duhet të vlerësohen dëmet materiale. Ajo gjen që nuk është e mundur të spekulohet se si do të kishte qenë apo si mund të kishte qenë situata e kërkuesve sikur “fshirja” të mos kishte ndodhur. Në mënyrë të veçantë, nuk është e mundur të përcaktohet nëse disa prej kërkuesve do të kishin vazhduar të jetonin ose të punonin në Slloveni sikur të mos ishin “fshirë” dhe, në mungesë të provave të mjaftueshme që tregojnë të kundërtën, Dhoma e Madhe supozon që kërkuesit do të kishin vazhduar të jetonin në Slloveni sikur ta kishin ruajtur statusin e tyre ligjor atje. As nuk është e mundur, mbi bazën e materialit të vënë në dispozicion të Gjykatës, të vlerësohet nëse ndonjë prej shumave që u janë paguar kërkuesve në lidhje me punësimin apo me përfitime të tjera jashtë vendit do t’i kishin kaluar ose do të ishin përputhur me shumat e humbura në Slloveni si pasojë e “fshirjes”. Sigurisht, nga dokumentet në dispozicion të Gjykatës, nuk duket se kërkuesit janë pasuruar padrejtësisht nga burime të tjera të ardhurash të cilat ata mund t’i kenë gëzuar në mënyrë që ta përjashtonin Qeverinë përgjegjëse nga detyrimi i saj për të kompensuar humbjet materiale të pësuara nga kërkuesit për shkak të privimit të tyre nga kuotat sociale.
93. Në këto rrethana, Dhoma e Madhe gjen që të gjithë kërkuesit duhet të marrin kompensim për humbjen e kuotave sociale të pësuara për shkak të “fshirjes” së emrave të tyre.
94. Si përfundim, duke vendosur mbi bazën e rënë dakord mes palëve, Dhoma e Madhe vendos shpërblim për secilin kërkues sipas këtij titulli, siç saktësohet më poshtë (shih nën “Kërkuesit individualisht”, paragrafët 110-115 poshtë).
(ii) Kuotat e strehimit
95. Dhoma e Madhe shënon që, në parashtresën e Qeverisë, kërkuesve nuk u takonin kuota strehimi, meqenëse nga të gjithë kërkuesit vetëm Z. Kurić kishte qenë me “banim me mbrojtje të veçantë” në apartamentin e tij para tetorit 1991, ndërkohë që edhe ai nuk kishte arritur të paraqiste kërkesë sipas legjislacionit përkatës. Sido që të jetë, Qeveria vërejti që nga 14 tetori 2003 kuota e strehimit përfshinte kriterin e pasjes së shtetësisë sllovene, një kusht i paplotësuar nga asnjëri prej kërkuesve (shih paragrafin 57 lart). Kërkuesit e kontestuan kriterin e “banimit me mbrojtje të veçantë” sipas Ligjit për Sigurimet Shoqërore të vitit 1992, pa ofruar sqarime të mëtejshme. Për sa i përket kushtit të shtetësisë të futur nga Ligji për Strehimin i vitit 2003, kërkuesit deklaruan që sikur të mos ishin “fshirë”, ata do ta kishin fituar shtetësinë sllovene deri në atë datë (shih paragrafin 40 lart).
96. Dhoma e Madhe nuk mund të spekulojë nëse kërkuesve do t’u ishte dhënë shtetësia sllovene sikur të mos ishin “fshirë” nga Regjistri i Banorëve të Përhershëm. Ajo gjen që nuk kontestohet nga asnjëra palë që kërkuesve nuk do t’u kishin takuar kuota strehimi sipas Ligjit për Strehimin të vitit 2003. Për më tepër, kërkuesit nuk arritën të vërtetonin që ata do t’i kishin plotësuar kushtet sipas legjislacionit të mëparshëm.
97. Rrjedhimisht, Dhoma e Madhe nuk vendos shpërblime për kërkuesit sipas këtij titulli.
(iii) Shtesat për fëmijë
98. Për sa u përket shtesave për fëmijë të kërkuara nga kërkuesit Znj. Mezga dhe Z. Berisha në lidhje me fëmijët e tyre, Dhoma e Madhe vëren se Qeveria ka diskutuar që Znj. Mezga nuk i kanë takuar ato shtesa sepse dy fëmijët e saj më të rritur kanë qenë në kujdestari familjare në Kroaci, dhe e ka kontestuar kërkesën e Z. Berisha për periudha të caktuara në lidhje me pesë fëmijët e tij (shih paragrafët 59-60 lart). Kërkuesit diskutuan që kompensimi duhet t’u akordohej sipas këtij titulli të dy kërkuesve në fjalë (shih paragrafët 41-43 lart).
99. Dhoma e Madhe vëren që familjeve që marrin kuota sociale u takon, sipas legjislacionit përkatës slloven, të kërkojnë shtesa për fëmijë (shih paragrafin 58 lart). Ajo i referohet gjetjes së saj që të gjithë kërkuesit duhet të marrin kompensim për pamundësinë e tyre për të marrë kuota sociale si pasojë e humbjes së statusit të tyre ligjor per se, pavarësisht nga rrethanat e veçanta personale mbi bazën e të cilave ata mund të mos kishin qenë më të zgjedhshëm për përfitime sipas ligjit në fuqi (shih paragrafët 92-94 lart). Kjo është posaçërisht e vërtetë nëse fëmijëve u është dashur të qëndrojnë jashtë vendit ose janë ndarë nga prindërit e tyre si pasojë e “fshirjes”. Dhoma e Madhe shënon në këtë pikë që Ligji për Statusin Ligjor i ndryshuar rregullonte gjithashtu edhe statusin e fëmijëve të “të fshirëve” (shih paragrafët 16 dhe 28 lart, si dhe paragrafin 77 të vendimit kryesor).
100. Prandaj, sipas mendimit të Dhomës së Madhe, kërkuesja Znj. Mezga ka të drejtë të ketë kompensim në lidhje me dy fëmijët e saj më të rritur dhe kërkuesi Z. Berisha në lidhje me pesë fëmijët e tij, në shumat e saktësuara poshtë (shih paragrafët 111 dhe 113 poshtë).
(d) Humbja e të ardhurave në të ardhmen
Të drejtat e pensionit
101. Për sa i përket humbjes së të ardhurave në të ardhmen në lidhje me të drejtat e pensionit, kërkuesit deklaruan që ata ishin duke kërkuar kompensim për kontributet të cilat ata nuk kanë mundur t’i paguanin në skemën pensionale dhe për mungesën rezultuese të të drejtës së tyre për pension sipas legjislacionit kombëtar. Megjithatë, ata pohuan se ishte e mundur të përcaktoheshin humbjet minimale të të ardhurave të tyre në të ardhmen duke iu referuar pensionit minimal i cili do t’u kishte takuar atyre (shih paragrafët 44-45 lart).
102. Qeveria diskutoi që kërkesat e kërkuesve në lidhje me kuotat sociale përjashtonin çdo kërkesë për humbjen e të ardhurave në të ardhmen dhe theksoi që personave të papunë nuk u takonin sigurime pensionale por sigurime shoqërore. Megjithatë, pas arritjes së kufirit të moshës (gjashtëdhjetetre vjeç për femra dhe gjashtëdhjetepesë për meshkuj), personave të tillë – përfshirë edhe të huajve me banim në Slloveni me lejeqëndrim të përhershëm – u takonte mbështetje minimale me pension, në qoftë se të ardhurat e tyre nuk e kalonin shumën minimale, të caktuar në 460 euro (shih paragrafët 61-64 lart).
103. Dhoma e Madhe e pranon argumentin e Qeverisë që pranimi i kërkesave të kërkuesve në lidhje me kuotat sociale përjashton çdo kërkesë për humbjen e të ardhurave të tyre në të ardhmen për sa u përket të drejtave të pensionit.
104. Prandaj, Dhoma e Madhe i rrëzon këto kërkesa.
105. Megjithatë, ajo mban parasysh deklaratën e Qeverisë që të huajt me lejeqëndrim të përhershëm me banim në Slloveni mund të fitojnë të drejtën për mbështetje minimale me pension pasi të kenë arritur moshën e pensionit dhe që kjo në parim zbatohet tek kërkuesit nëse i përmbushin kushtet statusore (shih paragrafët 63-64 lart).
(e) Kërkuesit individualisht
106. Dhoma e Madhe përsërit që ajo ka vendosur të caktojë shpërblim për secilin prej kërkuesve në lidhje me kuotat sociale (shih paragrafin 94 lart).
107. Kërkuesit kërkuan kompensim për dëme materiale të pësuara nga 26 shkurti 1992, kur ata u “fshinë” nga Regjistri i Banorëve të Përhershëm, deri në marrjen e lejeqëndrimeve të përhershme (shih paragrafin 34 lart).
108. Megjithatë, Dhoma e Madhe shënon që, për sa i përket Sllovenisë, Konventa ka hyrë në fuqi më 28 qershor 1994. Duke bërë vlerësimin mbi baza të barazueshmërisë dhe duke pasur parasysh rrethanat e përmendura lart, Gjykata e konsideron të arsyeshme të caktohen shumat e mëposhtme, duke u bazuar mbi kohëzgjatjet e ndryshme të secilit kërkues si person “i/e fshirë”, nga 28 qershori 1994 deri në datën kur statusi i tij/saj ligjor është rikthyer përfundimisht, shumëzuar me një shumë fikse mujore prej 150 euro (shih, mutatis mutandis, Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano, cituar lart, §§ 220 dhe 222).
109. Dhoma e Madhe gjithashtu vendos shpërblim në shumat e përmendura poshtë (shih paragrafët 111 dhe 113 poshtë) për kërkuesit Znj. Mezga dhe Z. Berisha në lidhje me fëmijët e tyre, duke u bazuar mbi kohëzgjatjet e ndryshme nga hyrja në fuqi e Konventës në lidhje me Slloveninë – ose, sipas rastit, mbi datëlindjet e fëmijëve – deri sa fëmijët kanë arritur moshën madhore ose statusi ligjor i kërkuesit në fjalë është rregulluar, shumëzuar me një shumë fikse mujore prej 80 euro. Megjithatë, ajo nuk e gjen të përshtatshme të vendoset shpërblim të drejtë për bashkëshorten e Z. Berisha, meqenëse ajo mund të kishte bërë kërkesë në emër të saj para Gjykatës.
(i) Z. Mustafa Kurić
110. Kërkuesi Z. Kurić ka mbetur pa status ligjor nga 28 qershori 1994 deri më 2 nëntor 2010 (gjashtëmbëdhjetë vjet, katër muaj e nëntë ditë) pra, për 196 muaj të plotë.
Rrjedhimisht, Dhoma e Madhe i akordon atij shumën 29.400 euro.
(ii) Znj. Ana Mezga
111. Kërkuesja Znj. Ana Mezga ka mbetur pa status të përhershëm ligjor nga 28 qershori 1994 deri më 1 mars 2011 (gjashtëmbëdhjetë vjet, tetë muaj e shtatë ditë), pra, për 200 muaj të plotë.
Rrjedhimisht, Dhoma e Madhe i akordon asaj 30.000 euro në lidhje me kuotat sociale.
Akordohet shpërblim për vajzën e kërkueses, Ines, për periudhën prej 28 qershorit 1994 deri më 22 nëntor 2001, kur ajo ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç (shtatë vjet, katër muaj e njëzet e shtatë ditë; tetëdhjetetetë muaj të plotë); kjo shkon në shumën 7.040 euro.
Akordohet shpërblim për djalin e kërkueses, Enes, për periudhën prej 28 qershorit 1994 deri më 26 prill 2010, kur ai ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç (pesëmbëdhjetë vjet, dhjetë muaj e dy ditë; 190 muaj të plotë); kjo shkon në shumën 15.200 euro.
Rrjedhimisht, Dhoma e Madhe i akordon kërkueses në tërësi 52.240 euro në lidhje me dëme materiale.
(iii) Z. Tripun Ristanović
112. Kërkuesi Z. Ristanović ka mbetur pa status ligjor nga 28 qershori 1994 deri më 10 mars 2011 (gjashtëmbëdhjetë vjet, tetë muaj e pesëmbëdhjetë ditë), pra, për 200 muaj të plotë.
Rrjedhimisht, Dhoma e Madhe i akordon atij 30.000 euro.
(iv) Z. Ali Berisha
113. Kërkuesi Z. Berisha ka mbetur pa status ligjor nga 28 qershori 1994 deri më 19 tetor 2010 (gjashtëmbëdhjetë vjet, tre muaj e njëzet e pesë ditë), pra, për 195 muaj të plotë. Rrjedhimisht, Dhoma e Madhe i akordon atij 29.250 euro në lidhje me kuotat sociale.
Akordohet shpërblim për djalin e kërkuesit, Dem, për periudhën nga 29 dhjetori 1997 deri më 19 tetor 2010, kur kërkuesit iu dha lejeqëndrimi (dymbëdhjetë vjet, nëntë muaj e njëzet e tre ditë; 153 muaj të plotë); kjo shkon në shumën 12.240 euro.
Akordohet shpërblim për djalin e kërkuesit, Egzon, për periudhën nga 13 korriku 1999 deri më 19 tetor 2010 (njëmbëdhjetë vjet, tre muaj e dhjetë ditë; 135 muaj të plotë); kjo shkon në shumën 10.800 euro.
Akordohet shpërblim për vajzën e kërkuesit, Egzona, për periudhën nga 29 marsi 2001 deri më 19 tetor 2010 (nëntë vjet, gjashtë muaj e njëzet e tre ditë; 114 muaj të plotë); kjo shkon në shumën 9.120 euro.
Akordohet shpërblim për djalin e kërkuesit, Haxhi, për periudhën nga 9 shkurti 2003 deri më 19 tetor 2010 (shtatë vjet, tetë muaj e njëmbëdhjetë ditë; nëntëdhjetë muaj të plotë); kjo shkon në shumën 7.360 euro.
Akordohet shpërblim për djalin e kërkuesit, Valon, për periudhën nga 28 korriku 2006 deri më 19 tetor 2010 (katër vjet, dy muaj e njëzet e tre ditë; pesëdhjetë muaj të plotë); kjo shkon në shumën 4.000 euro.
Rrjedhimisht, Dhoma e Madhe i akordon kërkuesit në tërësi shumën 72.770 euro në lidhje me dëme materiale.
(v) Z. Ilfan Sadik Ademi
114. Kërkuesi Z. Ademi ka mbetur pa status ligjor nga 28 qershori 1994 deri më 20 prill 2011 (gjashtëmbëdhjetë vjet, nëntë muaj e njëzet e gjashtë ditë), pra, për 201 muaj të plotë.
Rrjedhimisht, Dhoma e Madhe i akordon atij shumën 30.150 euro.
(vi) Z. Zoran Minić
115. Kërkuesi Z. Minić ka mbetur pa status ligjor nga 28 qershori 1994 deri më 4 maj 2011 (gjashtëmbëdhjetë vjet, dhjetë muaj e dhjetë ditë), pra, për 202 muaj të plotë.
Rrjedhimisht, Dhoma e Madhe i akordon atij shumën 30.300 euro.
B. Kostot dhe shpenzimet
1. Parashtrimet e kërkuesve
(a) Procedurat administrative në vend
116. Kërkuesit kërkuan rimbursimin e kostove të pësuara gjatë procedurave administrative në vend, në lidhje me lejeqëndrimet e përhershme dhe në lidhje me shtetësinë. Kjo shumë do të duhet të përbëhej nga kostot aktuale të njohura për Qeverinë ose, nëse kjo nuk arrihet, nga një shumë fikse prej 200 euro për kërkues. Vetë kërkuesit nuk kishin më prova të pagesave.
(b) Procedurat para Gjykatës
117. Së fundi, kërkuesit kërkuan rimbursim të plotë, që kapte shumën 11.190,00 euro, plus tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimet e tjera (14.081,49 euro), të kostove dhe shpenzimeve të arsyeshme gjatë procedurave para Dhomës së Madhe pas shpalljes së vendimit kryesor. Ata vërejtën që, duke marrë parasysh rrethanat e jashtëzakonshme të çështjes dhe kushtet tepër të varfra të jetesës së kërkuesve, përfaqësuesit e tyre kishin pranuar të ofronin shërbime ligjore pa barrë financiare paraprake nga ana e kërkuesve, dhe kishin rezervuar të drejtën e tyre për të kërkuar rimbursim drejtpërdrejt para Gjykatës nga Qeveria përgjegjëse (duke iu referuar M.S.S. kundër Belgjikës dhe Greqisë [GC], nr. 30696/09, §§ 412-414, ECHR 2011).
2. Parashtrimet e Qeverisë përgjegjëse
(a) Procedurat administrative në vend
118. Qeveria pranoi që kërkuesve u ishte dashur të paguanin kostot e procedurave administrative sipas Ligjit për Statusin Ligjor dhe Ligjit për Statusin Ligjor i ndryshuar, dhe u takonte rimbursimi sikur ata t’i kishin paguar faktikisht. Ajo e kontestoi shumën fikse prej 200 euro për kërkues.
Megjithatë, kërkuesve nuk u takonte rimbursimi i kostove të procedurave administrative në lidhje me shtetësinë. Nuk kishte lidhje shkakësore mes kostove të kërkesës për shtetësi dhe shkeljeve të Konventës që ishin gjetur.
119. Mbi bazën e materialit në dispozicion të Qeverisë, katër prej kërkuesve u takonte rimbursimi i kostove që faktikisht ishin pësuar gjatë procedurave administrative në vend në lidhje me lejeqëndrimet e përhershme.
120. Në mënyrë të veçantë, kërkueses Znj. Mezga i takonte shuma 29,47 euro, kërkuesit Z. Ristanović shuma 79,87 euro, kërkuesit Z. Ademi shuma 86,77 euro dhe kërkuesit Z. Minić shuma 143,31 euro.
(b) Procedurat para Gjykatës
121. Qeveria vuri në diskutim shumën shtesë të kërkuar nga kërkuesit në lidhje me kostot dhe shpenzimet e procedurave para Gjykatës. Ligji për Tarifat e Avokatit (Zakon o odvetniški tarifi, Gazeta Zyrtare, nr. 67/08), i cili ishte i zbatueshëm në Slloveni për procedurat para Gjykatës, parashikonte që përfaqësuesi kishte të drejtë të merrte një shumë mes 500 euro dhe 1.500 euro.
122. Pjesa e kërkesës lidhur me TVSH gjithashtu ishte e diskutueshme. Fatura nga përfaqësuesit e kërkuesve e datuar 31 korrik 2012, kur Republika e Sllovenisë e kishte paguar kompensimin për dëme jo materiale, tregonte që nuk kishte detyrim për pagesën e TVSH-së por vetëm një taksë 4% për Fondin Pensional të Avokatëve (CPA). Prandaj, përfaqësuesve të kërkuesve nuk u takonin kostot në lidhje me TVSH.
3. Vendimi[5] i Gjykatës
(a) Procedurat administrative në vend
123. Për sa u përket kërkesave të kërkuesve për kostot e procedurave administrative në vend, Dhoma e Madhe shënon që kërkuesit janë mbështetur në informacionin në dispozicion të Qeverisë në lidhje me kostot faktike. Përndryshe, ata kërkuan një shumë fikse prej 200 euro për kërkues.
124. Dhoma e Madhe shënon që në parashtresat e saj më rishtazi Qeveria përgjegjëse ka paraqitur shifra të sakta lidhur me kostot faktike të katër prej kërkuesve gjatë procedurave pas kërkesës së tyre për lejeqëndrime të përhershme. Rrjedhimisht, ajo i akordon 29,47 euro kërkueses Znj. Mezga, 79,87 euro kërkuesit Z. Ristanović, 86,77 euro kërkuesit Z. Ademi dhe 143,31 kërkuesit Z. Minić sipas këtij titulli. Më tej, Dhoma e Madhe i refuzon kërkesat në lidhje me procedurat e shtetësisë mbi bazën e faktit që këto të fundit nuk janë filluar për të penguar apo zgjidhur shkeljet e Konventës që ajo ka gjetur.
125. Në tërësi, Dhoma e Madhe akordon 339,42 euro për kostot e procedurave administrative në vend për kërkuesit Znj. Mezga, Z. Ristanović, Z. Ademi dhe Z. Minić.
(b) Procedurat para Gjykatës
126. Dhoma e Madhe vëren se në vendimin kryesor kërkuesve u është akorduar një shumë e përgjithshme prej 30.000 euro në lidhje me kostot dhe shpenzimet deri në atë fazë të procedurave para Gjykatës (shih pikën 11 të pjesës operative dhe paragrafin 427 të vendimit kryesor).
127. Për sa i përket çështjes së TVSH-së ngritur nga Qeveria, Dhoma e Madhe përsërit që, nëse është e nevojshme, Gjykata akordon shpërblime në lidhje me kostot dhe shpenzimet me qëllim të rimbursimit të shumave të cilat kërkuesit është dashur të përballojnë gjatë përpjekjeve për të penguar shkeljen, për ta konstatuar nga Gjykata dhe (nëse ka nevojë) të merret shpërblim i drejtë – pas vendimit në favor të tyre – nga autoritetet kombëtare kompetente ose, ku është me vend, nga Gjykata (shih Neumeister kundër Austrisë (ish-neni 50), 7 maj 1974, § 43, Seria A nr. 17; König kundër Gjermanisë (ish-neni 50), 10 mars 1980, § 20, Seria A nr. 36; dhe Scordino kundër Italisë (nr. 1) [GC], nr. 36813/97, § 284, ECHR 2006‑V). Kosto dhe shpenzime të tilla shpesh u nënshtrohen tatimit; për shembull, shumica e Palëve të Larta Kontraktuese vendosin tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH) për mallra dhe shërbime të caktuara. Kur bëhet fjalë për shërbimet e avokatëve, përkthyesve dhe profesionistëve të tjerë, megjithëse Shtetit i paguhet tatim nga këto profesionistë, pavarësisht nga kjo ai i faturohet kërkuesve dhe përfundimisht paguhet prej tyre. Kërkuesit duhet të jenë të mbrojtur nga kjo pagesë shtesë. Vetëm për këtë arsye, në pjesën operative të vendimeve të saj Gjykata urdhëron që çdo tatim që mund t’i ngarkohet kërkuesit duhet t’i shtohet shumave të akorduara në lidhje me kostot dhe shpenzimet (shih Association Les Témoins de Jéhovah kundër Francës (shpërblim i drejtë), nr. 8916/05, § 37, 5 korrik 2012).
128. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, një kërkuesi i takon rimbursimi i kostove dhe shpenzimeve për sa kohë që tregohet që këto kanë ndodhur konkretisht dhe kanë qenë të nevojshme dhe që janë të arsyeshme në tërësi (shih, për shembull, Maktouf dhe Damjanović kundër Bosnje dhe Hercegovinës [GC], nr. 2312/08 dhe nr. 34179/08, § 94, ECHR 2013 (pjesë të shkëputura)).
129. Në çështjen në fjalë, duke mbajtur parasysh dokumentet në dispozicion dhe kriteret e mësipërme, Dhoma e Madhe e konsideron të arsyeshme të akordojë shpërblimin prej 5.000 euro sipas këtij titulli për kërkuesit së bashku për procedurat pas shpalljes së vendimit kryesor.
C. Interesi i munguar
130. Gjykata e konsideron të përshtatshme që përqindja e interesit të munguar të bazohet mbi kursin margjinal huadhënës të Bankës Qendrore Evropiane, të cilit duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
II. NENI 46 I KONVENTËS
131. Neni 46 i Konventës parashikon, për aq sa është relevant:
“1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.”
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikqyr ekzekutimin e tij.
...”
A. Parime të përgjithshme
132. Dhoma e Madhe përsërit që neni 46 i Konventës, i interpretuar nën dritën e nenit 1, cakton mbi Shtetin përgjegjës një detyrim ligjor për të vënë në zbatim, nën mbikqyrjen e Komitetit të Ministrave, masat e përshtatshme të përgjithshme dhe/ose individuale për të siguruar të drejtat e kërkuesve të cilat Gjykata ka gjetur të jenë shkelur. Këto masa gjithashtu duhet të merren edhe në lidhje me persona në pozicionin e kërkuesve, kryesisht duke zgjidhur problemet që kanë sjellë deri tek gjetjet e Gjykatës (shih Scozzari dhe Giunta kundër Italisë [GC], nr. 39221/98 dhe nr. 41963/98, § 249, ECHR 2000-VIII; Lukenda, cituar lart, § 94; dhe S. dhe Marper kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 30562/04 dhe 30566/04, § 134, ECHR 2008). Ky detyrim është theksuar vazhdimisht nga Komiteti i Ministrave në mbikqyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës (shih, për shembull, Rezolutat e Përkohshme [Interim Resolutions] DH(97)336 në çështjet lidhur me kohëzgjatjen e procedurave në Itali; DH(99)434 në çështjet lidhur me veprimin e forcave të sigurisë në Turqi; ResDH(2001)65 në çështjen e Scozzari dhe Giunta kundër Italisë; dhe ResDH(2007)75 në çështjet lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit në Poloni).
133. Për të lehtësuar zbatimin efektiv të vendimeve të saj në këtë mënyrë, Gjykata mund të miratojë një procedurë të vendimit-pilot që i lejon asaj të identifikojë qartë në vendim ekzistencën e problemeve strukturore që qëndrojnë pas shkeljeve dhe të tregojë masat ose veprimet e sakta që duhet të ndërmerren nga Shteti përgjegjës për t’i zgjidhur ato (shih Broniowski kundër Polonisë [GC], 31443/96, §§ 189-194 dhe pjesa operative, ECHR 2004-V, dhe Hutten-Czapska kundër Polonisë [GC] nr. 35014/97, §§ 231-239, ECHR 2006‑VIII). Megjithatë, kjo qasje judikative ushtrohet duke respektuar si duhet funksionet përkatëse të institucioneve të Konventës: është në dorën e Komitetit të Ministrave të vlerësohet zbatimi i masave individuale dhe të përgjithshme sipas nenit 46 § 2 të Konventës (shih, mutatis mutandis, Broniowski (marrëveshje miqësore), cituar lart, § 42, dhe Hutten‑Czapska (marrëveshje miqësore), cituar lart, § 42).
134. Një tjetër qëllim i rëndësishëm i procedurës së vendimit-pilot është të lejohet dhënia e zgjidhjes më të shpejtë të mundshme në nivel vendi për shumë njerëz që vuajnë nga problemi i përgjithshëm i identifikuar në vendimin pilot, duke zbatuar kështu parimin e subsidiaritetit i cili mbështjell tërë sistemin e Konventës (shih Burdov kundër Rusisë (nr. 2), nr. 33509/04, §§ 127 dhe 142, ECHR 2009, dhe Greens dhe M.T. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 60041/08 dhe 60054/08, § 108, ECHR 2010 (pjesë të shkëputura)). Kështu në vendimin pilot mund të vendoset që të gjitha procedurat në të gjitha çështjet që rrjedhin nga i njëjti problem duhet të shtyhen në pritje të zbatimit të masave përkatëse nga Shteti përgjegjës.
135. Më tej, nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe para se të jenë miratuar masat e përgjithshme – ose çfarëdo mase e përshtatshme – nga Shteti përgjegjës në ekzekutimin e një vendimi pilot mbi themelet (neni 46 i Konventës), Gjykata mund të marrë një vendim që e rrëzon zbatimin “pilot” mbi bazën e një marrëveshjeje miqësore (neni 37 § 1 (b) dhe neni 39) ose i akordon kërkuesit shpërblim të drejtë (neni 41) (shih Broniowski (marrëveshje miqësore), cituar lart, § 36, dhe Hutten-Czapska (marrëveshje miqësore), cituar lart, § 34).
136. Megjithatë, nëse Shteti përgjegjës e vonon zbatimin e masave të përgjithshme përtej një periudhe të arsyeshme kohore (shih Broniowski (themelet), cituar lart, § 198), e lë problemin të pazgjidhur dhe vazhdon të shkelë Konventën, Gjykata nuk ka zgjedhje tjetër veç se të rifillojë shqyrtimin e të gjitha kërkesave të ngjashme që ka përpara dhe t’i sjellë në vendim në mënyrë që të nxisë procesin e ekzekutimit para Komitetit të Ministrave dhe të sigurojë respektimin e Konventës në nivel vendas (shih, mutatis mutandis, E.G. dhe të Tjerë kundër Polonisë (dec.), nr. 50425/99, § 28, ECHR 2008 (pjesë të shkëputura)).
B. Vlerësimi i Gjykatës
137. Dhoma e Madhe vëren që në vendimin kryesor në rastin në fjalë, ajo vendosi të zbatojë procedurën e vendimit-pilot sipas nenit 46 të Konventës dhe nenit 61 të Rregullores së Gjykatës, dhe urdhëroi Shtetin përgjegjës, si masë e përgjithshme, që të ngrinte një skeme vendase kompensimi ad hoc brenda një viti pas shpalljes së vendimit në fjalë – pra, jo më vonë se 26 qershori 2013 – në mënyrë që të sigurohej zgjidhja e duhur për “të fshirët” në nivel vendi (shih paragrafin 7 lart dhe pikën 9 të pjesës operative dhe paragrafin 415 të vendimit kryesor).
138. Ajo shënon që Qeveria përgjegjëse kishte dështuar në ngritjen e skemës vendase të kompensimit ad hoc deri më 26 qershor 2013, kur përfundoi periudha një-vjeçare e referuar në vendimin kryesor. Megjithatë, nuk u diskutua nga Qeveria përgjegjëse që ishte e nevojshme të merreshin masa të përgjithshme në nivel kombëtar në mënyrë që të sigurohej ekzekutimi i duhur i vendimit Kurić dhe të Tjerë, që shtriheshin përtej thjesht interesave të kërkuesve individualë dhe që duhet të ndërmerreshin në interes të personave të tjerë potencialisht “të fshirë” (shih paragrafin 6 lart dhe paragrafët 29, 408, 409 dhe 412 të vendimit kryesor).
139. Në këtë kontekst, Dhoma e Madhe ka parasysh si duhet faktin që më 25 korrik 2013 Qeveria e ka dërguar Projektligjin për ngritjen e një skeme vendase kompensimi ad hoc në Parlament. Projektligji është miratuar më 21 nëntor 2013, me disa ndryshime. Ligji rezultues është publikuar në Gazetën Zyrtarë më 3 dhjetor 2013 dhe ka hyrë në fuqi më 18 dhjetor 2013. Ai do të bëhet i zbatueshëm më 18 qershor 2014 (shih paragrafin 20 lart).
140. Ky statut do të sjellë kompensimin mbi bazën e një shume fikse për çdo muaj të “fshirjes” dhe mundësinë e kërkimit të kompensimit të mëtejshëm sipas rregullave të përgjithshme të Kodit të Detyrimeve (shih paragrafët 20-27 lart). Në rrethanat e jashtëzakonshme të çështjes në fjalë, zgjidhja elementare e akordimit të një shume fikse në lidhje me dëmet jo materiale dhe materiale të pësuara nga “të fshirët” – e cila është qasja ndërmarrë nga Dhoma e Madhe në lidhje me dëmet materiale në vendimin në fjalë (shih paragrafët 106-109 lart) dhe në lidhje me dëmet jo materiale në vendimin kryesor (shih paragrafin 425 të tij) – duket të jetë e përshtatshme.
141. Dhoma e Madhe vëren në këtë pikë që, sipas parimit të subsidiaritetit dhe hapësirës së vlerësimit që shkon krahas tij, shumat e kompensimit të akorduara në nivel kombëtar për personat e tjerë të ndikuar negativisht në kontekstin e masave të përgjithshme nga neni 46 i Konventës janë në dorë të Shtetit përgjegjës, nëse janë në pajtim me vendimin e Gjykatës që urdhëron ato masa (shih, mutatis mutandis, Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) kundër Zvicrës (nr. 2) [GC], nr. 32772/02, § 88, ECHR 2009).
142. Në pajtim me nenin 46 të Konventës, është Komiteti i Ministrave ai i cili do të vlerësojë masat e përgjithshme të miratuara nga Republika e Sllovenisë dhe zbatimin e tyre për sa i përket mbikëqyrjes së ekzekutimit të vendimit kryesor të Gjykatës. Gjykata vazhdimisht ka pohuar që ajo nuk ka juridiksion për të verifikuar, duke iu referuar nenit 46, nëse një Palë Kontraktuese ka vepruar në pajtim me detyrimet e saj të caktuara nga një prej vendimeve të Gjykatës, nëse nuk zbatohet neni 46 § 4 i Konventës, ashtu siç është që nga hyrja në fuqi e Protokollit nr. 14 (shih Hutten-Czapska (zgjidhje miqësore), cituar lart, § 43; Akdivar dhe të Tjerë kundër Turqisë (ish-neni 50), 1 prill 1998, § 44, Përmbledhje e Vendimeve 1998‑II; Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT), cituar lart, §§ 83-90; dhe The United Macedonian Organisation Ilinden – PIRIN dhe të Tjerë kundër Bullgarisë (nr. 2), nr. 41561/07 dhe nr. 20972/08, § 66, 18 tetor 2011).
143. Së fundi, për sa i përket listës së çështjeve gjyqësore të Gjykatës, megjithëse në kohën e miratimit të vendimit kryesor para Gjykatës kishte vetëm disa kërkesa të ngjashme të depozituara nga persona “të fshirë”, Dhoma e Madhe theksoi që, në kontekstin e shkeljeve sistematike, strukturore apo të ngjashme, prurja e mundshme e çështjeve të ardhshme ishte një konsideratë e rëndësishme për sa i përket parandalimit të akumulimit të çështjeve të përsëritura, dhe vendosi që shqyrtimi i kërkesave të tjera të ngjashme të shtyhej në pritje të miratimit të masave ndreqëse në fjalë (shih paragrafët 9 lart dhe 415 të vendimit kryesor).
144. Në këtë kontekst, Dhoma e Madhe vëren që në këtë kohë Gjykata ka përpara rreth gjashtëdhjetepesë çështje të depozituara nga persona “të fshirë”, ku përfshihen mbi 1000 kërkues. Prandaj, zbatimi i shpejtë i vendimit në çështjen Kurić dhe të Tjerë është i rëndësisë madhore (shih, mutatis mutandis, Greens dhe M.T., cituar lart, § 111).
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
1. Vendos
(a) që Shteti përgjegjës duhet t’u paguajë kërkuesve, brenda tre muajve, shumat në vijim:
(i) 29.400 euro (njëzet e nëntë mijë e katërqind euro) për Z. Kurić, plus të gjitha tatimet e ngarkueshme, në lidhje me dëmet materiale;
(ii) 52.240 euro (pesëdhjetedymijë e dyqind e dyzet euro) për Znj. Mezga, plus të gjitha tatimet e ngarkueshme, në lidhje me dëmet materiale;
(iii) 30.000 euro (tridhjetëmijë euro) për Z. Ristanović, plus të gjitha tatimet e ngarkueshme, në lidhje me dëmet materiale;
(iv) 72.770 euro (shtatëdhjetedymijë e shtatëqindeshtatëdhjetë euro) për Z. Berisha, plus të gjitha tatimet e ngarkueshme, në lidhje me dëmet materiale;
(v) 30.150 euro (tridhjetëmijë e njëqindepesëdhjetë euro) për Z. Ademi, plus të gjitha tatimet e ngarkueshme, në lidhje me dëmet materiale;
(vi) 30.300 euro (tridhjetëmijë e treqind euro) për Z. Minić, plus të gjitha tatimet e ngarkueshme, në lidhje me dëmet materiale;
(vii) 339,42 euro (treqindetridhjetenëntë euro e dyzet e dy cent) për Znj. Mezga, Z. Ristanović, Z. Ademi dhe Z. Minić së bashku, të cilat do të ndahen siç përcaktohet në paragrafin 124 lart, plus të gjitha tatimet e ngarkueshme për kërkuesit, në lidhje me kostot dhe shpenzimet e pësuara gjatë procedurave administrative në vend;
(viii) 5.000 euro (pesëmijë euro) për kërkuesit së bashku, plus të gjitha tatimet e ngarkueshme për ta, në lidhje me kostot dhe shpenzimet gjatë procedurave para Gjykatës;
(b) që nga përfundimi i tre muajve të lartpërmendur deri në pagesë do të paguhet interes i thjeshtë mbi shumën e mësipërme në përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës standarde plus tri pikë përqindjeje;
2. Rrëzon pjesën e mbetur të kërkesës së kërkuesve për shpërblim të drejtë.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e njoftuar me shkrim më 12 mars 2014, në përputhje me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Michael O’BoyleDean Spielmann
Zëvendës KancelarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] Mbi pranueshmërinë dhe themelin (Shën. i përkth.)
[2] Për pranueshmërinë dhe themelin (Shën. i përkth.)
[3] Për pranueshmërinë (Shën. i përkth.)
[4] Për pranueshmërinë dhe themelin (Shën. i përkth.)
[5] Për pranueshmërinë (Shën. i përkth.)
Full & Egal Universal Law Academy