© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA KURIĆ ME TË TJERË k. SLLOVENISË
(Kërkesëpadi nr. 26828/06)
VENDIM
[Pjesë të zgjedhura]
STRASBURG
26 qershor 2012
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Kurić me të tjerë k. Sllovenisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Nicolas Bratza, kryetar,
Jean-Paul Costa,
Françoise Tulkens,
Nina Vajić,
Dean Spielmann,
Boštjan M. Zupančič,
Anatoly Kovler,
Elisabeth Steiner,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Luis López Guerra
Zdravka Kalaydjieva,
Nebojša Vučinić,
Guido Raimondi,
Ganna Yudkivska,
Angelika Nußberger, gjyqtarë,
e nga Vincent Berger, këshilltar juridik,
Pasi e diskutoi çështjen në seancë të mbyllur më 6 korrik 2011 dhe më 11 prill 2012,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDUR
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (no 26828/06) e drejtuar kundër Republikës së Sllovenisë e me anë të së cilës Z. Milan Makuc, shtetas kroat, dhe dhjetë paditës të tjerë i janë drejtuar Gjykatës më 4 korrik 2006 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”). Pas vdekjes së Z. Makuc, çështja u riemërtua Kurić me të tjerë k. Sllovenisë. Përpara Dhomës së Madhe mbeten tetë paditës (paragrafi 15 i mëposhtëm).
2. Paditësit janë përfaqësuar përpara Gjykatës nga Znjat A.G. Lana e A. Saccucci, avokate në Romë, dhe nga Znjat A. Ballerini e M. Vano, avokate në Gjenovë (Itali).
3. Qeveria sllovene (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj, Z. L. Bembič, Prokuror i Përgjithshëm.
4. Duke iu referuar nenit 8 të Konventës, paditësit ankoheshin veçanërisht se ishin privuar arbitrarisht nga statusi i tyre si persona me vendbanim të përhershëm, pasi Sllovenia pati shpallur pavarësinë e saj më 1991. Ata ankoheshin gjithashtu, në këndvështrimin e nenit 13 të Konventës, se nuk kishin pasur asnjë mundësi për zgjidhje efektive lidhur me këtë dhe, në fushën e nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës, se ishin bërë objekt trajtimi diskriminues. Së fundi, ata mbronin mendimin se u ishte hequr arbitrarisht e drejta e pensionit, në shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1.
5. Kërkesëpadia i është caktuar Seksionit të Tretë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës – “Rregullorja”), i cili ka vendosur më 10 dhjetor 2006 t’ia njoftojë urgjentisht Qeverisë së paditur në bazë të nenit 40 të Rregullores dhe ta trajtojë atë me përparësi në bazë të nenit 41 të Rregullores.
6. Më 31 maj 2007, një dhomë e Seksionit të lartpërmendur, e përbërë nga Corneliu Bîrsan, Boštjan M. Zupančič, Elisabet Fura, Alvina Gyulumyan, Egbert Myjer, David Thór Björgvinsson dhe Ineta Ziemele, gjyqtarë, si edhe nga Santiago Quesada, sekretar seksioni, ka vendosur që t’ia bëjë të ditura Qeverisë së paditur ankesat e bëra sipas nenit 8, të marrë më vete dhe të bashkuar me nenet 13 e 14, dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1. Ajo ka vendosur gjithashtu se çështjet e pranueshmërisë e të themelit duhej të shqyrtoheshin bashkërisht (neni 29 § 1 i Konventës). Ajo e shpalli kërkesëpadinë të papranueshme për çdo pretendim tjetër.
7. Nga ana tjetër, vërejtje ka paraqitur edhe Qeveria serbe, duke ushtruar të drejtën e saj për ndërhyrje (nenet 36 § 1 i Konventës dhe 44 § 1 b) i Rregullores). Vërejtje kanë parashtruar gjithashtu edhe Equal Rights Trust, Open Society Justice Initiative, Instituti për Paqen – Instituti i Studimeve Politike dhe Shoqërore Bashkëkohore, dhe Qendra e Informacionit Juridik të Organizatave Joqeveritare, të cilët ishin lejuar nga kryetari për të ndërhyrë në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 3 i Rregullores). Vërejtjeve të Qeverisë serbe u janë përgjigjur si Qeveria e paditur ashtu edhe paditësit.
8. Qeveria kroate dhe Qeveria e Bosnjë-Hercegovinës, të cilat kanë marrë njoftim për kërkesëpadinë (nenet 36 § 1 i Konventës dhe 44 § 1 a) i Rregullores), nuk kanë dëshiruar ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të ndërhyrë në procedurë.
9. Më 13 korrik 2010, një dhomë e Seksionit të Tretë e përbërë nga Josep Casadevall, Elisabet Fura, Corneliu Bîrsan, Boštjan M. Zupančič, Alvina Gyulumyan, Egbert Myjer dhe Ineta Ziemele, gjyqtarë, si edhe nga Santiago Quesada, sekretar seksioni, i ka shpallur të pranueshme ankesat e formuluara nga tetë paditës në fushën e neneve 8, 13 e 14 të Konventës dhe ka thënë, njëzëri, se kishte pasur shkelje të neneve 8 e 13 të Konventës dhe se nuk ishte me vend që të shqyrtohej ankesa e bërë sipas nenit 14 të Konventës. Dhoma ka thënë gjithashtu se e afërmja në fjalë e të ndjerit Z. Makuc nuk kishte cilësi për ta ndjekur procedurën në emrin e tij. Ajo i ka shpallur të papranueshme ankesat e Znjve Petreš dhe Jovanović, të cilët kishin fituar leje qëndrimi të përhershëm, si edhe ankesat e paditësve të tjerë për çdo pretendim tjetër. Përveç kësaj, ajo i tregoi Qeverisë së paditur masat individuale dhe të përgjithshme që ishte me vend të miratoheshin në kuadrin e nenit 46 dhe është rezervuar për çështjen e shpërblimit të drejtë në bazë të nenit 41 të Konventës.
10. Më 13 tetor 2010, Qeveria ka kërkuar kalimin e çështjes përpara Dhomës së Madhe sipas neneve 43 të Konventës dhe 73 të Rregullores. Më 21 shkurt 2011, kolegji i Dhomës së Madhe e ka pranuar këtë kërkesë.
11. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores. Më 3 nëntor 2011, ka përfunduar mandati i Jean-Paul Costa-s si kryetar i Gjykatës. Nicolas Bratza ka zënë vendin e Jean-Paul Costa-s në këtë cilësi dhe ka marrë përsipër që prej asaj date kryesinë e Dhomës së Madhe për çështjen në fjalë (neni 9 § 2 i Rregullores). Jean-Paul Costa ka vazhduar me shqyrtimin e çështjes pas përfundimit të mandatit të tij, sipas neneve 23 § 3 të Konventës dhe 24 § 4 të Rregullores.
12. Si paditësit ashtu edhe Qeveria e paditur kanë paraqitur vërejtje me shkrim. Përveç kësaj, komente janë marrë nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët (“HCR”), të cilin kryetari e kishte lejuar të ndërhynte në procedurën me shkrim përpara Dhomës së Madhe (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 3 i Rregullores). Organizata Open Society Justice Initiative ka parashtruar vërejtje të përditësuara e përmbledhëse.
13. Një seancë është mbajtur publikisht në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 6 korrik 2011 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
Z.L. Bembič, Procuror i Përgjithshëm,agjent,
ZnjatV. Klemenc, Procurore e Përgjithshme,bashkagente,
N. Gregori, Ministria e Brendshme,
Z.J. Koselj, Ministria e Brendshme,
ZnjatI. Jeglič, Ministria e Brendshme,
A. Snoj, Ministria e Brendshme,
ZnjtëA. Jerman, Ministria e Brendshme,
P. Pavlin, Ministria e Brendshme,
S. Bardutzky, Ministria e Drejtësisë,këshilltarë;
– për paditësit
ZnjatA. G. Lana,
A. Saccucci, avokate,
ZnjatN. Kogovšek Šalamo,
A. Sironi,këshilltare.
14. Gjykata ka dëgjuar Znjat Lana, Saccucci e Z. Bembič në deklaratat e tyre si edhe në përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të bëra prej gjyqtarëve. Paditësit dhe Qeveria e paditur kanë paraqitur me shkrim informacione plotësuese.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
15. Paditësi i parë, Z. Mustafa Kurić, ka lindur në vitin 1935 dhe është me vendbanim në Koper (Slloveni). Ai është pa shtetësi. Paditësi i dytë, Z. Velimir Dabetić, ka lindur më 1969 dhe është me vendbanim në Itali. Edhe ai është pa shtetësi. Paditësja e tretë, Znja Ana Mezga, shtetase kroate, ka lindur më 1965 dhe është me vendbanim në Portorozh (Slloveni). Paditësja e katërt, Znja Ljubenka Ristanović, shtetase serbe, ka lindur më 1968 dhe është me vendbanim në Serbi. Paditësi i pestë, Z. Tripun Ristanović, i biri i paditëses së katërt dhe shtetas i Bosnjë-Hercegovinës, ka lindur më 1988 dhe është aktualisht me vendbanim në Slloveni. Paditësi i gjashtë, Z. Ali Berisha, ka lindur më 1969 në Kosovë. Sipas informacioneve të fundit që i janë njoftuar Gjykatës, Z. Berisha ka shtetësinë serbe dhe jeton aktualisht në Gjermani. Paditësi i shtatë, Z. Ilfan Sadik Ademi, ka lindur më 1952. Ai është me vendbanim në Gjermani dhe ka tani shtetësinë e “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë”. Paditësi i tetë, Z. Zoran Minić, ka lindur më 1972. Sipas Qeverisë, ai ka shtetësinë serbe.
A. Konteksti i çështjes
1. Shtetësia në RSFJ
16. Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (“RSFJ”) ishte një shtet federal i përbërë nga gjashtë republika: Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Serbia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Shtetas njëherazi edhe të RSFJ-së edhe të njërës nga gjashtë republikat, shtetasit e RSFJ-së kishin një “shtetësi të dyfishtë” brenda vendit. Deri më 1974, shtetësia federale kishte epërsi mbi shtetësinë e republikës: vetëm një shtetas jugosllav mund ta mbante shtetësinë e një republike.
17. Rregullat që e përcaktonin shtetësinë ishin të njëjtat në të gjitha republikat e RSFJ-së dhe parimi bazë i tyre ishte marrja e shtetësisë përmes së drejtës së gjakut (jus sanguinis). Në parim, një fëmijë kishte të njëjtën shtetësi si prindërit e vet; nëse këta nuk ishin shtetas të së njëjtës republikë, ata vendosnin së bashku për shtetësinë e fëmijës së tyre. Atë datë që merrej shtetësia e një republike tjetër, personi në fjalë e humbiste shtetësinë e republikës shtetas i së cilës kishte qenë më parë.
18. Që prej vitit 1947, u mbajtën regjistra më vete shtetasish në rang republikash, por jo në rang të shtetit federal. Duke nisur nga viti 1974, informacionet lidhur me shtetësinë e të sapolindurve u regjistruan në regjistrin e lindjeve dhe, nga viti 1984, këto të dhëna nuk u hodhën më në regjistrin e shtetasve, meqenëse të gjitha informacionet lidhur me shtetësinë ishin kaluar në regjistrin e lindjeve.
19. Shtetasit e RSFJ-së gëzonin të drejtën e qarkullimit brenda shtetit federal dhe mund ta regjistronin vendbanimin e tyre të përhershëm atje ku zgjidhnin që të vendoseshin në territorin e RSFJ-së. Gëzimi i plotë i të drejtave të ndryshme civile, ekonomike, shoqërore, madje edhe politike, lidhej me vendbanimin e përhershëm.
20. Shtetasit e RSFJ-së në atë që atëherë ishte Republika Socialiste e Sllovenisë, por që kishin shtetësinë e njërës nga republikat e tjera, ashtu si paditësit, e regjistronin vendbanimin e tyre të përhershëm në këtë republikë në të njëjtën mënyrë si qytetarët sllovenë. Sipas një procedure më vete, me vendbanim të përhershëm në RSFJ mund të bëheshin gjithashtu edhe shtetasit e huaj.
2. Pavarësia e Sllovenisë dhe “fshirja”
21. Gjatë procesit të shpërbërjes së RSFJ-së, Sllovenia mori masa për qëllim të pavarësisë së saj. Më 6 dhjetor 1990, Kuvendi i Republikës së Sllovenisë miratoi “Deklaratën e qëllimeve të mira” (Izjava o dobrih namenih), e cila garantonte se të gjithë ata që ishin me vendbanim të përhershëm në territorin slloven mund ta fitonin shtetësinë sllovene nëse kishin dëshirë (paragrafi 200 i mëposhtëm).
22. Më 25 qershor 1991, Sllovenia shpalli pavarësinë e saj. U miratuan një varg ligjesh të quajtura përmbledhtas me termin “ligje për pavarësinë”. Mes tyre figuronin Ligji për shtetësinë i Republikës së Sllovenisë (Zakon o državljanstvu Republike Slovenije – “Ligji për shtetësinë”), Ligji për të huajt (Zakon o tujcih, paragrafët 205-207 të mësipërm), Ligji për kontrollin e kufijve kombëtarë (Zakon o nadzoru državne meje) dhe Ligji për pasaportat e shtetasve sllovenë (Zakon o potnih listinah državljanov Republike Slovenije).
23. Në atë kohë, ndryshe nga popullsia e disa prej republikave të tjera të ish-RSFJ-së, popullsia sllovene ishte relativisht homogjene: rreth 90% e rreth dy milionë banorëve kishin shtetësinë sllovene. Rreth 200 000 banorë sllovenë (ose 10% e popullsisë), ndërmjet të cilëve edhe paditësit, ishin shtetas të republikave të tjera të ish-RSFJ-së. Ky përpjesëtim pasqyron gjithashtu përafërsisht prejardhjen etnike të popullsisë sllovene në atë kohë.
24. Në përputhje me Deklaratën e qëllimeve të mira, neni 13 i ligjit kushtetues të vitit 1991 sanksiononte se shtetasit e republikave të tjera të RSFJ-së të cilët, më 23 dhjetor 1990, datë e plebishitit për pavarësinë e Sllovenisë, ishin të regjistruar si me vendbanim të përhershëm në Republikën e Sllovenisë dhe ishin vërtet me vendbanim aty, kishin të njëjtat të drejta e detyra si shtetasit e Republikës së Sllovenisë, me përjashtim të së drejtës për të blerë pasuri, deri në fitimin e shtetësisë së Republikës së Sllovenisë në bazë të nenit 40 të Ligjit për shtetësinë ose deri në përfundimin e afatit të caktuar në nenin 81 të Ligjit për të huajt (25 dhjetor 1991 – paragrafët 202, 205 e 207 të mësipërm).
25. Sipas nenit 40 të Ligjit për shtetësinë, të hyrë në fuqi më 25 qershor 1991, shtetasit e republikave të ish-RSFJ-së të cilët nuk ishin shtetas sllovenë (“shtetasit e republikave të ish-RSFJ-së”) mund ta merrnin shtetësinë sllovene nëse plotësonin tre kushtet e mëposhtme: të kishin fituar statusin e personit me vendbanim të përhershëm në Slloveni më 23 dhjetor 1990 (datë e plebishitit), të ishin vërtet me vendbanim në Slloveni dhe të kërkonin shtetësinë sllovene brenda një afati prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të Ligjit për shtetësinë. Siç tregohet në paragrafin 24 të mësipërm, ky afat përfundoi më 25 dhjetor 1991. Pas kësaj date, ndaj shtetasve të republikave të tjera të ish-RSFJ-së u zbatuan, njëlloj si për të huajt, ato kushte më pak të favorshme për marrjen e shtetësisë përmes natyralizimit që ishin vendosur nga neni 10 i Ligjit për shtetësinë (paragrafi 205 i mëposhtëm).
26. Sipas shifrave zyrtare, 171 132 shtetas të republikave të ish-RSFJ-së që ishin me vendbanim në Slloveni e kërkuan dhe e fituan shtetësinë e shtetit të ri në bazë të nenit 40 të Ligjit për shtetësinë. Nga ana tjetër, vlerësohet se 11 000 persona u larguan nga Sllovenia.
27. Neni 81 i Ligjit për të huajt, pika e dytë, saktësonte se shtetasit e republikave të ish-RSFJ-së, të cilët nuk e kishin kërkuar shtetësinë sllovene brenda afatit të caktuar apo kërkesa e të cilëve ishte hedhur poshtë, bëheshin të huaj. Dispozitat e Ligjit për të huajt bëheshin të zbatueshme ndaj shtetasve të ish-RSFJ-së pas një periudhe prej dy muajsh pas përfundimit të afatit në fjalë (ose më 26 shkurt 1992), ose prej dy muajsh pas datës së vendimit të formës së prerë për rrëzimin e kërkesës së shtetësisë në kuadrin e një procedure administrative (paragrafi 207 i mëposhtëm).
28. Pas shpalljes së pavarësisë, Ministria e Brendshme (“Ministria”) u drejtoi autoriteteve administrative bashkiake disa udhëzime të brendshme, të cilat nuk u publikuan (okrožnice, navodila, depeše), rreth zbatimit të Ligjit për pavarësinë dhe, në veçanti, të Ligjit për të huajt. Me anë të një qarkoreje të datës 26 qershor 1991, Ministria i informoi autoritetet administrative se shtetasit e republikave të tjera të ish-RSFJ-së, të cilët jetonin në Slloveni, konsideroheshin pas kësaj date si të huaj në kuadrin e të gjitha procedurave administrative dhe se, sipas nenit 13 të Ligjit kushtetues të vitit 1991, ata kishin të njëjtat të drejta dhe detyra me shtetasit e Republikës sllovene deri në përfundimin e afateve të zbatueshme (paragrafi 24 i mësipërm). Ministria nxori gjithashtu edhe disa udhëzime teknike lidhur me pasaportat e me të huajt. Më 30 korrik 1991, ajo i informoi autoritetet administrative bashkiake se, sipas Deklaratës së Brionit, të nënshkruar nga përfaqësuesit e Sllovenisë, të Kroacisë, të Serbisë dhe të Jugosllavisë nën mbrojtjen e trojkës ministrore të Komunitetit Evropian, zbatimi i ligjeve për pavarësinë në fushën e punëve të brendshme pezullohej për një periudhë tremujore. Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e republikave të tjera të ish-RSFJ-së nuk do të trajtoheshin si të huaj. Dy qarkore të tjera administrative u nxorën më datat 5 e 18 shkurt 1992; ato e tërhiqnin vëmendjen për problemet e përgjithshme lidhur me vënien në jetë të Ligjit për të huajt. E para udhëzonte që, kur të trajtonin çështje lidhur me statusin e të huajve, autoritetet administrative sllovene duhej t’i mbanin dokumentet e identitetit të shtetasve të republikave të tjera të RSFJ-së të lëshuara prej tyre dhe t’i shfuqizonin e asgjësonin pasaportat e këtyre personave.
29. Më 26 shkurt 1992, datë kur u bë i zbatueshëm neni 81 i Ligjit për të huajt, pika e dytë, autoritetet administrative bashkiake e fshinë nga Regjistri i personave me vendbanim të përhershëm (Register stalnega prebivalstva – “Regjistri”) emrin e personave që nuk kishin kërkuar ose marrë shtetësinë sllovene dhe, sipas Qeverisë, e transferuan emrin e tyre te Regjistri i të huajve pa leje qëndrimi.
30. Më 27 shkurt 1992, Ministria u dërgoi autoriteteve administrative bashkiake disa udhëzime ku tregonte se ishte e nevojshme të miratoheshin rregulla lidhur me statusin juridik të këtyre personave. Ajo u tërhiqte aty vëmendjen këtyre autoriteteve për faktin se duhej të priteshin probleme të shumta dhe saktësonte se ishte e udhës të vendoseshin rregulla lidhur me statusin juridik të personave në fjalë dhe, paralelisht, të ndërmerrej “spastrimi i regjistrave”. Ndër të tjera, ajo theksonte se dokumentet e identitetit të këtyre personave, sado që ishin lëshuar nga autoritetet sllovene dhe ishin formalisht të vlefshme, do të bëheshin në fakt të pavlefshme për arsye të ndryshimit të statusit ex lege të këtyre personave. Ministria përcaktonte gjithashtu edhe atë interpretim të neneve 23 e 28 të Ligjit për të huajt, që sipas saj do të ishte me vend të merrej për bazë në rastet e shfuqizimit të statusit të personit me vendbanim të përhershëm apo të dëbimit me forcë.
31. Sipas paditësve, personat emri i të cilëve ishte fshirë nga Regjistri nuk u njoftuan zyrtarisht për këtë masë. Për këtë qëllim nuk qenkësh parashikuar asnjë procedurë e posaçme dhe nuk qenkësh lëshuar asnjë dokument zyrtar. Të interesuarit e paskan mësuar vetëm më vonë se ishin bërë të huaj, për shembull kur kanë dashur të ripërtërijnë dokumentet e tyre (letërnjoftim, pasaportë, leje për drejtim automjeti). Ndërsa Qeveria mbron mendimin se, përveç botimit të legjislacionit të ri në Gazetën Zyrtare, popullsia sllovene është informuar përmes medieve dhe lajmërimeve. Në disa komuna, personat e prekur qenkëshin njoftuar madje edhe personalisht.
32. Sipas shifrave zyrtare të vitit 2002, numri i shtetasve të ish-RSFJ-së që e kishin humbur statusin e tyre si persona me vendbanim të përhershëm më 26 shkurt 1992 arrinte në 18 305, nga të cilët rreth 2 400 të cilëve u ishte mohuar dhënia e shtetësisë. Këta persona u quajtën më pas me emrin “persona të fshirë” (izbrisani), ku përfshiheshin edhe paditësit e çështjes në fjalë. Disa të dhëna të reja për “personat e fshirë” u mblodhën më 2009 (paragrafi 69 i mëposhtëm).
33. “Personat e fshirë” u bënë për rrjedhojë të huaj ose pa shtetësi që qëndronin në mënyrë të paligjshme në Slloveni. Ata u ndeshën përgjithësisht me vështirësi për të ruajtur vendin e tyre të punës apo lejen e tyre për drejtim automjeti dhe për të fituar pensionin e tyre të pleqërisë. Përveç kësaj, ata nuk mund të largoheshin nga vendi, sepse e kishin të pamundur të ktheheshin aty pa një dokument të vlefshëm identiteti. Shumë familje u ndanë, ngaqë disa pjesëtarë ndodheshin në Slloveni ndërsa disa të tjerë jetonin në një prej shteteve të tjera që pasuan ish-RSFJ-në. Mes “personave të fshirë” kishte 5 360 të mitur, të cilëve, në pjesën më të madhe, iu morën dokumentet e identitetit. Disa nga “personat e fshirë” u larguan nga Sllovenia me dëshirën e tyre të plotë. Ca të tjerëve u erdhën urdhra dëbimi dhe u përzunë.
34. Pas 26 shkurtit 1992, për shtetasit e republikave të tjera të ish-RSFJ-së u bë e pamundur që të regjistroheshin si persona me vendbanim të përhershëm nëse nuk kishin marrë një leje të re qëndrimi. Megjithatë, në bazë të nenit 82 të Ligjit për të huajt, lejet e qëndrimit të përhershëm të cilat u ishin lëshuar shtetasve nga shtete që nuk ishin ndonjë republikë e ish-RSFJ-së, mbetën të vlefshme pas hyrjes në fuqi të Ligjit për të huajt (paragrafi 207 i mëposhtëm).
35. Më 4 qershor 1992, ministri i Brendshëm i drejtoi Qeverisë një letër (nr. 0016/1-S-010/3-91), duke e informuar për çështjet e mbetura pezull lidhur me vënien në jetë të Ligjit për të huajt, duke pasur parasysh numrin e madh të shtetasve nga republika të tjera të ish-RSFJ-së të cilët jetonin në Slloveni dhe statusi i të cilëve nuk ishte i rregulluar me ligj. Ai deklaronte aty gjithashtu se, sipas mendimit të tij, gjatë procesit që kishte çuar te pavarësia, ishin marrë parasysh të gjitha të drejtat e shtetasve nga republika të tjera të ish-RSFJ-së të cilët jetonin në Slloveni, ashtu siç rezultonin ato nga konventat ndërkombëtare apo traktatet dypalëshe. Qeveria mbron mendimin se, pas kësaj letre, ajo mori masa për t’i zbutur pasojat e “fshirjes”, sidomos duke i interpretuar në mënyrë më elastike dispozitat e Ligjit për të huajt (paragrafi 36 i mëposhtëm). Përveç kësaj, më 15 qershor 1992, autoriteteve administrative bashkiake iu dërgua një qarkore tjetër administrative me udhëzime për vënien në jetë të Ligjit për të huajt. Kjo prekte një numër tjetër çështjesh të pazgjidhura, konkretisht lidhur me shpërndarjen e apartamenteve të ushtrisë, me regjistrimin e refugjatëve të përkohshëm nga Bosnjë-Hercegovina, me mbajtjen e regjistrave, me përcjelljen e të dhënave personale të nxjerra nga regjistri i popullsisë dhe me procedurat që kishin të bënin me të huajt. Qarkorja saktësonte se letërnjoftimet personale që u ishin lëshuar të huajve nga autoritetet sllovene duhej të asgjësoheshin. Më veçanërisht, lidhur me shtetasit e ish-RSFJ-së që ishin me vendbanim të përhershëm në Slloveni, ajo i përcaktonte datat që duhej të shënoheshin në Regjistër: ose data kur të interesuarit ishin bërë qytetarë sllovenë, ose ajo kur ata ishin bërë të huaj në bazë të nenit 81 të Ligjit për të huajt (më 26 shkurt 1992 ose dy muaj pas datës së marrjes së vendimit për të mos iu dhënë shtetësia sllovene).
36. Më 3 shtator 1992, Qeveria vendosi ta marrë parasysh periudhën që i kishte paraprirë hyrjes në fuqi të Ligjit për të huajt për përllogaritjen e kohës së qëndrimit me vendbanim të përhershëm në Slloveni, ndërkohë që kërkohej një periudhë trevjeçare për lëshimin e një lejeje qëndrimi të përhershëm. Gjithsej, 4 893 leje qëndrimi të përhershëm u lëshuan kështu nga viti 1992 deri më 1997.
37. Më 28 qershor 1994, ndaj Sllovenisë hyri në fuqi Konventa.
38. Parlamenti slloven kërkoi mbajtjen e një referendumi rreth çështjes nëse duhej apo jo që t’u hiqej shtetësia sllovene shtetasve të ish-RSFJ-së, kur ajo u ishte dhënë atyre mbi bazën e nenit 40 të Ligjit për shtetësinë. Më 20 nëntor 1995, Gjykata Kushtetuese e gjykoi këtë kërkesë si jo kushtetuese.
39. Në vitet që pasuan, disa organizata joqeveritare, ndërmjet të cilave Amnesty International dhe Helsinki Monitor, si edhe ombudsmani slloven për të drejtat e njeriut, botuan raporte duke tërhequr vëmendjen lidhur me situatën e “personave të fshirë”.
3. Vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 4 shkurt 1999 dhe ngjarjet e mëpasshme
40. Më 24 qershor 1998, Gjykata Kushtetuese e shpalli pjesërisht të pranueshme një ankesë për papajtueshmëri me Kushtetutën të nenit 16, pika e parë, dhe të nenit 81, pika e dytë, të Ligjit për të huajt (paragrafët 27 i mësipërm dhe 207 i mëposhtëm), e cila ishte paraqitur më 1994 nga dy persona emrat e të cilëve ishin fshirë nga regjistri më 1992.
41. Me një vendim të datës 4 shkurt 1999 (çështja U-I-284/94), ajo e shpalli të papajtueshëm me Kushtetutën nenin 81 të Ligjit për të huajt, me arsyetimin se ai nuk i parashtronte kushtet në të cilat personat e prekur në pikën e tij të dytë mund ta fitonin një leje qëndrimi të përhershëm. Ajo vuri në dukje se autoritetet i kishin fshirë nga Regjistri emrat e shtetasve nga republikat e ish-RSFJ-së, të cilët nuk e kishin kërkuar shtetësinë sllovene, dhe i kishin regjistruar ata me nismën e vet në regjistrin e të huajve, pa i njoftuar për këtë të interesuarit. Ajo çmoi përveç kësaj se kjo masë ishte e pambështetur në ligj, përderisa Ligji për regjistrin e popullsisë dhe të personave me vendbanim të përhershëm nuk parashikonte ndonjë masë fshirjeje ex lege.
42. Gjykata Kushtetuese vuri në dukje se dispozitat e Ligjit për të huajt synonin, në mënyrë të përgjithshme, që ta rregullonin me ligj statusin e të huajve që kishin hyrë në Slloveni pas pavarësisë dhe jo atë të të huajve të cilët jetonin aty tashmë. Sipas saj, sado që neni 82 i Ligjit për të huajt e rregullonte mirë statusin juridik të të huajve që nuk ishin me prejardhje nga një prej republikave të ish-RSFJ-së, nuk kishte asnjë dispozitë të barasvlershme për shtetasit e ish-RSFJ-së, aq sa këta të fundit ndodheshin në një situatë juridike më pak të favorshme sesa të huajt që kishin qenë tashmë me vendbanim të përhershëm në Slloveni përpara pavarësisë.
43. Gjykata Kushtetuese vuri në dukje se më 1991, gjatë procesit ligjvënës, ishte bërë një propozim i cili synonte miratimin e një dispozite të posaçme për të rregulluar situatën e përkohshme të shtetasve të ish-RSFJ-së që ishin me vendbanim të përhershëm në Slloveni, por që nuk e kishin kërkuar shtetësinë sllovene. Ligjvënësi kishte çmuar më në fund se situata e këtyre personave nuk duhej të rregullohej përmes Ligjit për të huajt, por më shumë me anë të marrëveshjeve me shtetet pasardhëse të ish-RSFJ-së. Por, meqenëse këto marrëveshje nuk u lidhën dot, kryesisht për arsye të luftës në Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë, situata e këtyre personave nuk ishte ndrequr. Për Gjykatën Kushtetuese, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, situata e personave që zotëronin shtetësinë e shtetit paraardhës, por jo atë të shtetit pasardhës, dhe që ishin me vendbanim në mënyrë të përhershme në territorin e shteteve të ndara pas vitit 1990, ishte tashmë punë marrëveshjesh ndërkombëtare.
44. Gjykata Kushtetuese e shpalli pra jo kushtetues nenin 81, për shkak se, për personat që nuk e kishin kërkuar shtetësinë sllovene ose për ata që nuk e kishin fituar të, ai nuk i parashikonte kushtet në të cilat ata mund ta kërkonin statusin e personit me vendbanim të përhershëm pas përfundimit të afatit të caktuar. Ishte krijuar kështu një zbrazëti juridike dhe nuk ishin marrë parasysh parimet e ligjshmërisë, të sigurisë juridike dhe të barazisë.
45. Gjykata Kushtetuese deklaroi përveç kësaj se nuk duhej të merreshin për bazë dispozitat e Ligjit për të huajt të cilat rregullonin marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm a të përkohshëm nga ana e të huajve që hynin në Slloveni (nenet 13 e 16 të Ligjit për të huajt – paragrafi 207 i mëposhtëm) që të rregullohej statusi i shtetasve të republikave të ish-RSFJ-së, të cilët mund të prisnin në mënyrë të arsyeshme që kushtet e reja që duhej të plotësoheshin për ta ruajtur statusin e tyre si persona me vendbanim të përhershëm në Slloveni nuk do të ishin më të rrepta sesa ato që vendoseshin në nenin 13 të Ligjit kushtetues (paragrafi 202 i mëposhtëm) dhe në nenin 40 të Ligjit për shtetësinë (paragrafi 205 i mëposhtëm), dhe se statusi i tyre do të përcaktohej në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
46. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese doli në përfundimin se, përderisa pika e parë e nenit 16 të Ligjit për të huajt zbatohej vetëm për ata të huaj që kishin hyrë në Slloveni pas pavarësisë, ajo nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën.
47. Ajo i dha ligjvënësit një afat gjashtëmujor për t’i dhënë fund papajtueshmërisë së konstatuar me Kushtetutën. Ajo deklaroi se, ndërkohë, asnjë masë dëbimi nga Sllovenia nuk do të mund të merrej mbi bazën e nenit 28 të Ligjit për të huajt ndaj shtetasve të ish-RSFJ-së që, më 23 dhjetor 1990, ishin të regjistruar si persona me vendbanim të përhershëm në Slloveni e që ishin vërtet me vendbanim aty.
48. Gjykata Kushtetuese theksoi gjithashtu se mospasja e rregullave për statusin e shtetasve të republikave të ish-RSFJ-së, të cilët ndodheshin në një situatë juridike të pasigurt mund të shkaktonte një shkelje të Konventës, konkretisht të së drejtës për respektimin e jetës familjare, të mbrojtur nga neni 8 (shih, për pjesë të zgjedhura të këtij vendimi, paragrafin 214 të mëposhtëm).
49. Për rrjedhojë, Ligji për rregullimin e statusit juridik të shtetasve të shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së me vendbanim të përhershëm në Republikën e Sllovenisë (Zakon o urejanju statusa državljanov drugih držav naslednic nekdanje SFRJ v Republiki Sloveniji – “Ligji për statusin juridik”) u miratua më 8 korrik 1999. Ai synonte të ndreqte statusin juridik të “personave të fshirë” duke i thjeshtëzuar kushtet për marrjen e një lejeje qëndrimi të përhershëm.
50. Sipas nenit 1 të Ligjit për statusin juridik, shtetasit e shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së të cilët ishin regjistruar si persona me vendbanim të përhershëm në territorin slloven më 23 dhjetor 1990, datë e plebishitit, ose më 25 qershor 1991, datë e pavarësisë, dhe të cilët ishin vërtet me vendbanim aty, kishin të drejtë për një leje qëndrimi të përhershëm, pavarësisht nga dispozitat e Ligjit për të huajt. Ata përfitonin një afat prej tre muajsh për të paraqitur një kërkesë. Neni 3 i Ligjit për statusin juridik parashikonte përjashtime për personat që vuanin dënime penale. Atyre që i plotësonin kushtet e lartpërmendura iu dhanë ex nunc leje qëndrimi (paragrafi 210 i mëposhtëm).
51. Më 18 maj 2000, Gjykata Kushtetuese, teksa merrte vendim rreth një kërkese tjetër (çështja U-I-295/99), e shfuqizoi pjesërisht nenin 3 të Ligjit për statusin juridik, duke e gjykuar atë si jo kushtetues për arsyen se kushtet që shpalleshin aty për marrjen e një lejeje qëndrimi të përhershëm ishin më të rrepta sesa kriteret për shfuqizimin e një lejeje qëndrimi të përhershëm të cilat parashikoheshin nga Ligji për të huajt.
4. Vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese në procedura të tjera të nisura nga “persona të fshirë”
52. Duke u mbështetur në vendimin e saj udhëzues të 4 shkurtit 1999 (paragrafët 41-48 të mësipërm), Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa vendime në çështje të nisura nga “persona të fshirë”.
53. Më 1 korrik 1999, në një çështje (Up-333/96) ku kërkuesit i ishte refuzuar ripërtëritja e lejes së drejtimit për automjet me arsyetimin se emri i tij ishte “fshirë” nga regjistri, ajo vuri në dukje se, pas vendimit të saj të 4 shkurtit 1999, Ligji për statusin juridik ishte hartuar, por nuk ishte miratuar ende. Ajo vendosi që, deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, kërkuesi duhej të përfitonte atë status që do të kishte pasur në qoftë se afati i caktuar në nenin 81, pika e dytë, të Ligjit për të huajt nuk do të kishte përfunduar (paragrafi 27 i mësipërm). Ajo i urdhëroi autoritetet që ta regjistronin të interesuarin si person me vendbanim të përhershëm në adresën ku ai kishte jetuar përpara se emri i tij të fshihej në mënyrë të paligjshme nga regjistri, dhe që t’ia ripërtërinin lejen e drejtimit për automjet.
54. Një vendim i ngjashëm u mor më 15 korrik 1999 në një çështje (Up-60/97) ku kërkuesve, të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje dhe shtetas të njërës nga republikat e ish-RSFJ-së, u ishte refuzuar një leje qëndrimi të përhershëm në bazë të nenit 16 të Ligjit për të huajt, me arsyetimin se babai e kishte humbur vendin e tij të punës.
55. Më 18 nëntor 1999 dhe më 16 dhjetor 1999, në dy çështje (Up-20/97 e Up‑152/97) lidhur me pagesën e një pensioni ushtarak për një “person të fshirë”, Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi vendimet e Gjykatës së Lartë dhe i ktheu çështjet për rishqyrtim.
56. Më 20 shtator 2001, në një çështje (Up-336/98) lidhur me të drejtën e një personi për një pagesë asistence për mbajtje fëmijësh, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e autoriteteve më të ulëta dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.
57. Përveç kësaj, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi një numër çështjesh të nisura nga “persona të fshirë” lidhur me kushtet e marrjes së shtetësisë sllovene. Në një vendim të datës 6 korrik 1995 (çështja Up-38/93), ajo çmoi se mund të quhej që kushti i vendosur nga neni 40 i Ligjit për shtetësinë, domethënë qenia “vërtet me vendbanim [në Slloveni]” (paragrafët 25 i mësipërm dhe 205 i mëposhtëm), ishte plotësuar në një situatë ku një person e kishte ndërprerë qëndrimin e tij në Slloveni për arsye të vlefshme, domethënë kur rrethana të tjera tregonin se qendrën e interesave të tij jetike ai e kishte në këtë vend. Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Lartë me arsyetimin se kjo i kishte trajtuar në mënyrë të diferencuar çështje analoge, dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.
5. Vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 3 prill 2003
58. Më 3 prill 2003, duke marrë vendim lidhur me një kërkesë të paraqitur nga Shoqata e “Personave të Fshirë” dhe nga të tjerë “persona të fshirë” për ta shpallur si jo kushtetues Ligjin mbi statusin juridik në versionin e tij të 8 korrikut 1999 (çështja U-I-246/02), Gjykata Kushtetuese gjykoi se, për një varg arsyesh, Ligji mbi statusin juridik nuk ishte në përputhje me Kushtetutën: ai nuk ua njihte personave të cilëve u ishte fshirë emri nga regjistri të drejtën për leje qëndrimi të përhershëm me efekt prapaveprues që prej datës së “fshirjes”, nuk e përkufizonte kuptimin e shprehjes “[të jetë] vërtet me vendbanim” e cila shfaqej në nenin e parë dhe nuk rregullonte marrjen e një lejeje qëndrimi të përhershëm nga shtetasit e republikave të ish-RSFJ-së që ishin dëbuar forcërisht nga Sllovenia në bazë të nenit 28 të Ligjit për të huajt.
59. Gjykata Kushtetuese çmoi se, sado që numri i saktë i personave të dëbuar nuk u mor vesh, kishte të ngjarë që ata të ishin pak, meqenëse në përgjithësi ishte toleruar statusi i parregulluar me ligj i “personave të fshirë”. Ajo e shpalli gjithashtu jo kushtetues afatin tremujor të caktuar për paraqitjen e një kërkese për leje qëndrimi të përhershëm, duke e quajtur atë tepër të shkurtër, dhe i dha ligjvënësit gjashtë muaj për të korrigjuar dispozitat jo kushtetuese të ligjit të dénoncuar. Gjykata Kushtetuese nënvizoi përveç kësaj rëndësinë e statusit të personit me vendbanim të përhershëm për të përfituar disa të drejta e shërbime, si të drejtën për pension ushtarak, ndihmat sociale dhe ripërtëritjen e një lejeje drejtimi për automjet.
60. Gjykata Kushtetuese i dha urdhër (pika 8 e vendimit të saj) Ministrisë që të nxirrte me nismën e vet, në favor të personave tashmë të pajisur me leje ex nunc (jo prapavepruese) sipas Ligjit për statusin juridik dhe Ligjit për të huajt, vendime që përcaktonin statusin e tyre si persona me vendbanim të përhershëm në Slloveni ex tunc që prej 26 shkurtit 1992, datës së “fshirjes” (shih, për pjesë të zgjedhura të këtij vendimi, paragrafin 215 të mëposhtëm).
61. Më 25 nëntor 2003, Parlamenti miratoi një ligj rreth zbatimit të pikës 8 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në çështjen nr. U‑I‑246/02-28 (Zakon o izvršitvi 8. točke odločbe Ustavnega sodišča Republike Slovenije št. U-I-246/02-28), të quajtur gjithashtu “ligji teknik”. Ky ligj përkufizonte procedurën e lëshimit të një lejeje qëndrimi të përhershëm ex tunc për shtetasit e republikave të ish-RSFJ-së që ishin regjistruar si persona me vendbanim të përhershëm në Slloveni, njëherazi më 23 dhjetor 1990 dhe më 25 shkurt 1992, dhe që e kishin marrë tashmë një leje qëndrimi të përhershëm sipas Ligjit për statusin juridik apo Ligjit për të huajt.
62. Megjithatë, më 4 prill 2004 u mbajt një referendum lidhur me çështjen nëse duhej të vihej në jetë apo jo ligji teknik. Përqindja e pjesëmarrjes në të qe 31,54% dhe numërimi i rezultateve zbuloi që 94,59% të votave të vlefshme ishin kundër vënies në jetë të ligjit, i cili nuk hyri kështu kurrë në fuqi.
63. Ndërkohë, në një vendim (çështja U-II-3/03) të dhënë më 22 dhjetor 2003, Gjykata Kushtetuese kishte saktësuar se vendimi i saj i 3 prillit 2003 (paragrafët 58-60 të mësipërm) përbënte bazën ligjore për lëshimin e lejeve plotësuese të qëndrimit nga Ministria dhe se kjo e fundit ishte e detyruar që ta ekzekutonte atë.
64. Përveç kësaj, në një çështje (Up-211/04) të nisur nga njëri prej “personave të fshirë”, i cili mbronte mendimin se mungesa e tij në Slloveni kishte qenë për shkak të luftës, Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi, më 2 mars 2006, vendimet e Gjykatës së Lartë që e kishin hedhur poshtë kërkesën e të interesuarit për të marrë një leje qëndrimi të përhershëm në bazë të Ligjit për statusin juridik dhe e kaloi çështjen përpara Gjykatës Administrative. Ajo e ftoi këtë të fundit që t’i vlerësonte në mënyrën e përshtatshme kushtin lidhur me detyrimin për të qenë “vërtet me vendbanim të përhershëm në Republikën e Sllovenisë” që prej 23 dhjetorit 1990 si edhe arsyet e mosqenies së personit në fjalë në Slloveni.
65. Në veçanti, Gjykata Kushtetuese deklaroi se fakti që ligjvënësi kishte vonuar që t’i mënjanonte ato kundërthënie nuk i pengonte gjykatat që të jepnin, në çështjet që paraqiteshin përpara tyre, vendime në përputhje me atë të dhënë prej saj më 3 prill 2003 (paragrafët 58-60 të mësipërm).
66. Më 2004, vetëm mbi bazën e vendimit të lartpërmendur të Gjykatës Kushtetuese, Ministria u lëshoi “personave të fshirë” 4 034 leje me efekt prapaveprues. Autoritetet e pezulluan përkohësisht pastaj e rifilluan më 2009 lëshimin e këtyre lejeve me nismën e vet, pas një ndërrimi qeverie (paragrafi 70 i mëposhtëm).
67. Sipas Qeverisë, më 30 qershor 2007, në bazë të Ligjit mbi statusin juridik ishin paraqitur 13 355 kërkesa. Këto kërkesa u bënë shkak për lëshimin e 12 236 lejeve të qëndrimit të përhershëm.
68. Pas zgjedhjeve legjislative të 21 shtatorit 2008, një qeveri e re u emërua në nëntor 2008. Një nga përparësitë e saj ishte miratimi i rregullave lidhur me statusin e “personave të fshirë”, në respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
69. Pas një përmirësimi të sistemit të saj informatik, Ministria mblodhi të dhëna të reja rreth “personave të fshirë” dhe botoi një raport ku tregohej se, më 24 janar 2009, numri i personave të fshirë nga Regjistri arrinte në 25 671, nga të cilët 7 899 e kishin marrë më pas shtetësinë sllovene; 7 313 nga këta persona ishin ende gjallë. Përveç kësaj, 3 630 persona të tjerë kishin marrë leje qëndrimi. Statusi i 13 426 “personave të fshirë” nuk ishte ndrequr ende në atë datë dhe nuk dihej se ku ata ishin me vendbanim.
70. Më 2009, duke iu përshtatur pikës 8 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 3 prillit 2003 (paragrafi 60 i mësipërm), Ministria rifilloi të jepte me nismën e vet, në favor të personave të pajisur tashmë me leje ex nunc, vendime që ua njihnin atyre statusin e personit me vendbanim të përhershëm në Slloveni ex tunc duke filluar prej 26 shkurtit 1992. U dhanë 2 347 vendime të këtij lloji.
6. Ligji i ndryshuar për statusin juridik
71. Pas kësaj, Ministria hartoi disa ndryshime dhe shtesa rreth Ligjit për statusin juridik (“Ligji i ndryshuar për statusin juridik”), me qëllim që të ndreqte, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 3 prillit 2003, mospërputhjet midis Ligjit për statusin juridik dhe Kushtetutës, sidomos lidhur me personat që ishin dëbuar dhe ata që ishin detyruar të largoheshin nga Sllovenia për arsye të tjera që lidheshin me “fshirjen”. Ligji i ndryshuar për statusin juridik u miratua më 8 mars 2010.
72. Më 12 mars 2010, tridhjetë e një deputetë kërkuan mbajtjen e një referendumi rreth Ligjit të ndryshuar për statusin juridik, sidomos sepse ai nuk e ndreqte çështjen e zhdëmtimit të “personave të fshirë”, çka e shtyu për më vonë hyrjen e tij në fuqi. Më 18 mars 2010, duke çmuar se shtyrja për më vonë e hyrjes në fuqi të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik ose hedhja poshtë e tij në kuadrin e një referendumi do të përmbanin pasoja jo kushtetuese, Kuvendi Kombëtar iu drejtua për këtë çështje Gjykatës Kushtetuese.
73. Më 10 qershor 2010, Gjykata Kushtetuese mori në çështjen U‑II‑1/10 një vendim ku, duke u mbështetur në vendimet e saj të mëparshme udhëzuese, ajo çmoi se dispozitat e Ligjit të ndryshuar për statusin juridik ishin në përputhje me Kushtetutën. Ajo qe e mendimit se ligji i ndryshuar jepte një zgjidhje të përhershme lidhur me statusin e “personave të fshirë” që nuk kishin mundur ta ndreqnin situatën e tyre ose atë të fëmijëve të tyre dhe se ai parashikonte dhënien e vendimeve të posaçme prapavepruese në favor të “personave të fshirë” që e kishin marrë shtetësinë sllovene pa e përmbushur kushtin lidhur me zotërimin paraprak të një lejeje qëndrimi të përhershëm. Gjykata Kushtetuese nuk pranoi ta lejonte mbajtjen e një referendumi, duke çmuar se një hedhje poshtë e mundshme e ligjit në fjalë do të ishte me pasoja jo kushtetuese. Ajo vuri re përveç kësaj se vonesa e shkaktuar në vënien në jetë të vendimit të saj udhëzues të vitit 2003 kishte sjellë një shkelje të re të Kushtetutës.
74. Paragrafi 43 i vendimit saktësonte se, duke miratuar ligjin në fjalë, i cili parashikonte fuqinë prapavepruese të statusit të personit me vendbanim të përhershëm, ligjvënësi kishte dhënë një shpërblim moral tek i cili duhej të shihej një formë zhdëmtimi për “fshirjen”. Për mendimin e Gjykatës Kushtetuese, në rast dëmi të ardhur si pasojë e “fshirjes”, çështja e përgjegjësisë së mundshme të shtetit mund të shtrohej në vështrim të nenit 26 të Kushtetutës atëherë kur ishin plotësuar kushte të tjera të caktuara në këtë dispozitë si edhe kushtet ligjore përkatëse. Gjithsesi, Ligji i ndryshuar për statusin juridik nuk nënkuptonte në vetvete një lloj të ri përgjegjësie penale për shtetin apo një bazë të re juridike që të mundësonte parashtrimin e kërkesave për zhdëmtim. Për mendimin e Gjykatës Kushtetuese, ligjvënësi mund të miratonte fare mirë një legjislacion specifik që e kufizonte përgjegjësinë e shtetit, ashtu siç kishte vepruar, për shembull, për sa u përket viktimave të Luftës së Dytë Botërore. Gjykata Kushtetuese doli në përfundimin se heshtja e ligjit në fjalë lidhur me çështjen e zhdëmtimit financiar nuk ishte jo kushtetuese.
75. Më 15 qershor 2010, kryetari i Kuvendit Kombëtar u kërkoi ndjesë publikisht “personave të fshirë” dhe, më 22 qershor 2010, veproi ashtu edhe ministri i Brendshëm.
76. Më 24 qershor 2010, Ligji i ndryshuar për statusin juridik u botua në Gazetën Zyrtare. Ai hyri në fuqi më 24 korrik 2010, disa ditë pas shpalljes së vendimit të Dhomës. Para miratimit të tij, ishin paraqitur 13 600 kërkesa për leje qëndrimi, nga të cilat 12 345 ishin pranuar.
77. Neni 1 i Ligjit të ndryshuar për statusin juridik kishte të bënte me të huajt që, në datën 25 qershor 1991, kishin pasur shtetësinë e një republike tjetër të ish-RSFJ-së, ishin të regjistruar si persona me vendbanim të përhershëm në Slloveni më 23 dhjetor 1990 ose më 25 qershor 1991, dhe ishin vërtet me vendbanim në këtë vend që prej asaj kohe, pavarësisht nga dispozitat e Ligjit për të huajt. Ai parashikonte marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm njëherazi ex nunc dhe ex tunc nga “personat e fshirë”. Ai rregullonte gjithashtu edhe statusin e fëmijëve të “personave të fshirë” dhe shpallte se do të jepeshin vendime me fuqi prapavepruese në favor të “personave të fshirë” të cilëve u ishte dhënë shtetësia sllovene pa qenë të pajisur më parë me një leje qëndrimi.
78. Në veçanti, neni 1 č) përkufizonte se shprehja “të jetë vërtet me vendbanim” në Slloveni (meqenëse qenia vërtet me vendbanim ishte një kusht paraprak për marrjen e statusit të personit me vendbanim të përhershëm) do të thoshte, për personin në fjalë, që ta kishte në këtë vend qendrën e interesave të tij jetike, nocion ky që u referohej marrëdhënieve personale, familjare, ekonomike, shoqërore e të tjera të personit, të cilat mund ta provonin ekzistencën e lidhjeve të mirëqena e të përhershme ndërmjet tij dhe Republikës së Sllovenisë.
79. Kjo dispozitë përcaktonte gjithashtu se kushti i qenies “vërtet me vendbanim” mund të gjykohej si i plotësuar në rastet e mungesës së përligjur për më shumë se një vit (dëbim forcërisht nga Sllovenia, mungesë si pasojë e “fshirjes” ose pamundësi për t’u kthyer për arsye të gjendjes së luftës në shtete të tjera pasardhës të ish-RSFJ-së). Në rastet e mungesës më të gjatë, kushti i qenies “vërtet me vendbanim” nuk mund të quhej i përmbushur, për një periudhë pesëvjeçare të shtuar me një periudhë tjetër pesëvjeçare, përveç se kur i interesuari ishte orvatur të hynte përsëri në Slloveni (paragrafi 211 i mëposhtëm).
80. Sipas statistikave të dhëna nga Qeveria, shërbimet administrative territoriale kanë marrë 173 kërkesa për leje qëndrimi të përhershëm ex nunc dhe tetëdhjetë e katër kërkesa për leje plotësuese ex tunc ndërmjet 24 qershorit 2010 dhe 31 majit 2011. Këto kërkesa kanë çuar në dhënien e gjashtëdhjetë e katër lejeve qëndrimi të përhershëm ex nunc dhe të 111 lejeve qëndrimi të përhershëm ex tunc, duke përfshirë edhe dy të lëshuara nga Ministria e Brendshme; në disa raste, autoritetet i kanë lëshuar ato me nismën e tyre. Të tjera procedura janë ende të papërfunduara. Afati i paraqitjes së kërkesave sipas Ligjit të ndryshuar për statusin juridik përfundon më 24 korrik 2013.
81. Më 26 prill 2011, shoqata Nisma Civile e “personave të fshirë” dhe pesëdhjetë e dy individë i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për ta shpallur si jo kushtetues Ligjin e ndryshuar për statusin juridik (çështja U-I-85/11). Kjo procedurë është aktualisht e papërfunduar.
82. Nga ana tjetër, një nga “personat e fshirë” paraqiti një ankesë kushtetuese për të kundërshtuar rrëzimin nga ana e Gjykatës së Lartë të kërkesës së tij për zhdëmtim, në një shumë prej 50 492,40 eurosh (EUR), për humbje të vendit të punës dhe dëm moral. Për sa i përkiste dëmit material, Gjykata e Lartë kishte vërejtur se autoritetet nuk kishin vepruar në mënyrë të paligjshme dhe se neni 26 i Kushtetutës ishte pra i pazbatueshëm. Më 5 korrik 2011 (çështja Up-1176/09), Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë këtë kërkesë, duke e ripohuar pikëpamjen e Gjykatës së Lartë sipas së cilës, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e shfuqizonte për më tej dispozitën e fajësuar të Ligjit për shtetësinë, nuk mund të thuhej se autoritetet apo juridiksionet administrative kishin vepruar në mënyrë të paligjshme në kohën e fakteve. Ajo shtoi se, përderisa humbja e vendit të punës ishte e lidhur me mospranimin për t’i dhënë shtetësinë sllovene personit në fjalë dhe jo me mospranimin për t’i dhënë atij një leje qëndrimi të përhershëm, vendimet e saj udhëzuese rreth çështjes së “personave të fshirë” nuk mund të merreshin parasysh.
83. Më 21 korrik 2011, Qeveria njoftoi rreth tridhjetë vendime të formës së prerë të dhëna nga juridiksionet e shkallës së parë dhe të dytë si edhe nga Gjykata e Lartë në kuadrin e procedurave për zhdëmtim të nisura nga “persona të fshirë”. Të gjitha kërkesat për zhdëmtim u rrëzuan më në fund, shumica për mosrespektim të afateve të caktuara, ndonëse në disa raste gjykatat i kishin gjykuar fillimisht kërkesat si të bazuara. Në atë kohë, procedurat ishin të papërfunduara përpara Gjykatës së Lartë për njëmbëdhjetë çështje të nisura nga “persona të fshirë”. Së fundi, më 7 nëntor 2011, Qeveria njoftoi një vendim të ri të dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 26 shtator 2011 në një çështje (Up-108/11) të nisura nga njëri prej “personave të fshirë”, i cili kishte kërkuar zhdëmtim për dëm material dhe moral. Në atë çështje, juridiksioni i shkallës së parë kishte thënë fillimisht në një vendim kalimtar se kishte arsye për të menduar se shteti ishte i detyruar për të bërë zhdëmtim. Megjithatë, Gjykata e Lartë e la në fuqi vendimin e shkallës së dytë, i cili e rrëzonte kërkesën për arsye të përfundimit të afatit ligjor. Gjykata Kushtetuese e miratoi këtë vendim.
B. Situata e veçantë e secilit nga paditësit
84. Përpara 25 qershorit 1991, datë kur Sllovenia shpalli pavarësinë e saj, paditësit ishin shtetas njëherazi edhe të RSFJ-së, edhe të njërës prej republikave të tjera përbërëse të saj përveç Sllovenisë. Ata e kishin marrë statusin e personit me vendbanim të përhershëm në Slloveni si shtetas të RSFJ-së, status të cilin ata e ruajtën deri më 26 shkurt 1992, datë kur emrat e tyre u fshinë nga Regjistri.
85. Pas hyrjes në fuqi më 24 korrik 2010 të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik, Z. Kurić, Znja Mezga, Z. Ristanović, Z. Berisha, Z. Ademi dhe Z. Minić përfituan leje qëndrimi të përhershëm, njëherazi ex nunc dhe ex tunc. Z. Dabetić dhe Znja Ristanović nuk kërkuan leje qëndrimi. Paragrafët e mëposhtëm paraqesin situatën e veçantë të secilit prej paditësve.
1. Z. Mustafa Kurić
86. Z. Kurić ka lindur më 8 prill 1935 në Shipovo (Bosnjë-Hercegovinë). Sipas Qeverisë, shtetësia e tij nuk dihet. Pasi përfundoi arsimimin e ulët, ai ndoqi një kurs për këpucar. Mbërriti në Slloveni në moshën njëzetvjeçare dhe u vendos në Koper më 1965. Më 1976, i mori me qira komunës së Koperit një punishte të vogël, ku u vendos për llogarinë e vet. U regjistrua si person me vendbanim të përhershëm në Slloveni nga 23 korriku 1970 deri më 26 shkurt 1992.
87. Më 1991, u sëmur rëndë dhe qëndroi i shtruar në spital për tre muaj. Ai pretendon se pikërisht për këtë arsye nuk paraqiti kërkesë për marrjen e shtetësisë sllovene. Ai shton se autoritetet e siguruan në atë kohë se do të kishte mundësi të tjera për të kërkuar shtetësinë sllovene. Qeveria e pohon se i interesuari u shtrua në spital, por thotë se ai kishte dalë tashmë nga spitali më 15 qershor 1991.
88. Paditësit nuk u njoftua kurrë zyrtarisht se nuk kishte më asnjë status juridik në Slloveni.
89. Më 1993, shtëpia e tij mori flakë dhe ai humbi pjesën më të madhe të dokumenteve të tij. Kur kërkoi dokumente të reja pranë komunës së Koperit, e informuan se i ishte fshirë emri nga Regjistri.
90. Ai e vazhdoi aktivitetin e tij profesional dhe e pagoi qiranë e vet deri sa u përball me vështirësi financiare, në fund të viteve 1990. Duke mos qenë më në gjendje për të shlyer qiranë, iu desh të dilte nga ato ambiente. Pa dokumente identiteti, rrezikonte të dëbohej nëse largohej nga ajo komunë, ku policia e toleronte praninë e tij.
91. Paditësi thotë se është orvatur në disa raste gjatë viteve 1990 ta ndreqë situatën e tij pranë shërbimeve administrative të Koperit, por nuk ka marrë përgjigje. Më 2005, ai i paska dërguar një letër Ministrisë, ku kërkonte shtetësinë sllovene. Nuk paska marrë përgjigje. Por, sipas Qeverisë së paditur, Z. Kurić nuk ka kërkuar asnjëherë leje qëndrimi në Slloveni.
92. Paditësi pohon se ka nisur më 2006 një procedurë lidhur me të drejtat e tij për pension pranë Institutit të Sigurimeve për Pleqëri dhe Paaftësi në Punë, i cili i paska dërguar më 14 maj 2006 një letër që përmendte vitet e tij të punës dhe i kërkonte të paraqiste një certifikatë shtetësie. Në përgjigje të një kërkese të agjentit të Qeverisë, Instituti i Sigurimeve për Pleqëri dhe Paaftësi në Punë ka deklaruar megjithatë, më 29 tetor 2007, se paditësi nuk i ishte drejtuar asaj zyrtarisht.
93. Më 7 maj 2007, paditësi bëri lutje për të marrë shtetësinë sllovene si person pa shtetësi. Kërkesa e tij u rrëzua më 27 korrik 2007.
94. Më 29 janar 2008, ai e përsëriti kërkesën e tij mbi bazën e nenit 10 të Ligjit për shtetësinë. Më 10 qershor 2009, shërbimi administrativ i Koperit e mënjanoi kërkesën e tij. Z. Kurić nuk e kundërshtoi këtë mospranim përpara Gjykatës Administrative.
95. Më 24 shkurt 2009, ai kërkoi një leje qëndrimi të përhershëm. Më 2 nëntor 2010, atij iu dhanë leje qëndrimi ex nunc dhe ex tunc, të cilat iu lëshuan më 26 nëntor 2010.
96. Paditësi vë në dukje se, megjithëse e ka marrë lejen e tij të qëndrimit të përhershëm, vazhdon të hasë vështirësi të shumta, sidomos lidhur me të drejtat e tij për pension. Ai shton se vuan nga probleme të rënda shëndetësore.
2. Z. Velimir Dabetić
97. Z. Dabetić ka lindur më 22 shtator 1969 në Koper (Slloveni). Ai është pa shtetësi. Është regjistruar si person me vendbanim të përhershëm në Slloveni nga 29 shtatori 1971 deri më 26 shkurt 1992. Prindërit dhe dy vëllezërit e tij kanë lindur në Malin e Zi dhe emrat e tyre, ashtu si edhe i tiji, u fshinë nga Regjistri më 1992. E ëma e fitoi shtetësinë sllovene më 1997 dhe i ati më 2004. Në përfundim të arsimit të ulët, ndoqi për dy vjet një kurs për hekurpunues në një institucion të specializuar të arsimit të mesëm. Aktualisht, ai jeton në Itali ku nuk ka kurrfarë statusi juridik.
98. Paditësi tregon se ka ikur e është vendosur në Itali më 1991, por ka mbetur i regjistruar si person me vendbanim të përhershëm në Koper (Slloveni) deri në ngjarjet e vitit 1992. Atij i qenkan dhënë në atë kohë informacione të gabuara nga shërbimet administrative të Koperit. Sipas Qeverisë, paditësi jeton në Itali që prej vitit 1989 dhe jo nga 1991. I interesuari nuk paska qenë pra me vendbanim në Slloveni në datën kur ky vend arriti pavarësinë.
99. Paditësi pretendon se, kur kërkoi të bënte lutje për të marrë shtetësinë sllovene pranë shërbimit administrativ të Koperit, nëpunësi i kërkoi të paraqiste një dokument ku të tregohej e kaluara e tij profesionale në Slloveni. Ai paska deklaruar atëherë se punonte në Itali mbi bazën e një lejeje të ligjshme pune dhe se nuk mund të paraqiste një dokument të tillë. Nëpunësi i qenka përgjigjur se ishte Italia dhe jo Sllovenia ajo që duhej t’ia jepte shtetësinë.
100. Paditësi pohon përveç kësaj se ai ka marrë dijeni për “fshirjen” më vonë sesa paditësit e tjerë. Më 2002, kur i ka përfunduar afati i pasaportës së vjetër të RSFJ-së, autoritetet italiane nuk paskan pranuar t’ia ripërtërijnë lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno) që i jepte mundësi të punonte dhe i paskan dhënë urdhër të kthehej në Slloveni. Megjithatë, sado që ishte orvatur të kthehej aty në mënyrë të ligjshme, e paska pasur të pamundur ta ndreqë situatën e tij në këtë vend. Qeveria mbron mendimin se paditësi nuk ka kërkuar asnjëherë ashtu si duhet një leje qëndrimi në Slloveni.
101. Më 26 nëntor 2003, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 3 prillit 2003, paditësi i kërkoi Ministrisë të jepte një vendim plotësues ex tunc për ta ndrequr statusin e tij, pa pasur bërë paraprakisht lutje për të marrë një leje qëndrimi të përhershëm ex nunc.
102. Më 29 nëntor 2003, paditësi e kërkoi shtetësinë sllovene sipas nenit 19 të Ligjit për shtetësinë, sipas ndryshimeve që i ishin bërë atij më 2002.
103. Më 9 shkurt 2004, ai iu drejtua njësisë së Gjykatës Administrative në Nova Gorica për t’u ankuar për plogështinë e autoriteteve administrative (tožba zaradi molka upravnega organa), të cilat ai i qortonte që nuk ia kishin lëshuar vendimin plotësues ex tunc të kërkuar prej tij.
104. Më 20 maj 2005, Gjykata Administrative e prapësoi kërkesën e tij.
105. Më 14 nëntor 2005, Ministria e hodhi poshtë kërkesën e paraqitur nga paditësi për marrje të shtetësisë sllovene, me arsyetimin se ai nuk e kishte vërtetuar të kishte qenë vërtet me vendbanim në Slloveni gjatë dhjetë vjetësh dhe të kishte jetuar aty pa ndërprerje gjatë pesë viteve të fundit.
106. Paralelisht, paditësi kërkoi gjithashtu edhe statusin e personit pa shtetësi pranë Ministrisë së Brendshme italiane.
107. Këto vitet e fundit, paditësi u arrestua dhe u mbajt shpesh në paraburgim nga policia italiane. Për më tepër, më 20 prill 2006, ai mori urdhrin për t’u larguar nga vendi brenda pesë ditësh. Më në fund, ai u lejua të qëndronte në Itali duke qenë se kishte kërkuar të njihej si person pa shtetësi dhe se procedura për këtë ishte e papërfunduar.
108. Paditësi u akuzua gjithashtu edhe për imigrim të paligjshëm në Itali. Më 19 qershor 2006, gjykata e qarkut të Mantovës e pushoi çështjen ndaj tij me arsyetimin se ai nuk kishte shtetësi dhe se nuk mund të pritej prej tij që të largohej nga Italia me dëshirën e vet. Në atë kohë, kërkesa e tij për të marrë statusin e personit pa shtetësi ishte e papërfunduar. Më në fund, ajo u rrëzua me arsyetimin se një i huaj që qëndronte në mënyrë të paligjshme në territorin italian nuk kishte të drejtë për ta marrë atë status.
109. Paditësi deklaron se jeton në kushte tejet të vështira. Ai nuk ka nisur procedurë sipas Ligjit të ndryshuar për statusin juridik.
3. Znja Ana Mezga
110. Znja Mezga ka lindur më 4 qershor 1965 në Çakovec (Kroaci). Ka shtetësinë kroate. Më 1979, u vendos në Lubjanë (Sllloveni), ku gjeti më pas një vend pune. Ndoqi arsimin e ulët për tetë vjet dhe u regjistrua si person me vendbanim të përhershëm në Slloveni nga 28 korriku 1980 deri më 26 shkurt 1992.
111. Ajo deklaron se më 1992, pas lindjes së fëmijës së saj të dytë, e kuptoi se i ishte fshirë emri nga Regjistri. Punëdhënësi i saj i paska shkurtuar lejen e lindjes dhe e paska pushuar nga puna. Përveç kësaj, në mars 1993, ajo qenka arrestuar nga policia gjatë një kontrolli rutinë. Duke mos pasur dokumente identiteti, ajo qenka mbajtur në paraburgim në një postë policie e pastaj në një qendër transiti për të huaj (prehodni dom za tujce), por qenka liruar pasi ka paguar një gjobë. Paditësja çmon se ky arrestim e vërteton se ajo e kishte humbur statusin e saj juridik.
112. Ajo u vendos pas kësaj në Piran, ku u njoh me H.Š., qytetar slloven, me të cilin pati dy fëmijë, të cilët e kanë shtetësinë sllovene. Ajo deklaron se nuk nisi asnjë procedurë për ta ndrequr situatën e saj, e vetëdijshme se nuk i plotësonte me sa dukej kushtet e vendosura nga legjislacioni në fuqi.
113. Më 13 dhjetor 1999, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për statusin juridik, Znja Mezga bëri lutje për të marrë një leje qëndrimi të përhershëm. Ministria e ftoi pesë herë për ta plotësuar dosjen e vet dhe e informoi se ajo kishte pasur gjithashtu mundësi të kërkonte një leje qëndrimi të përhershëm në kuadrin e ribashkimit familjar.
114. Më 14 prill 2004, paditësja e ftoi Ministrinë të jepte një vendim plotësues në bazë të pikës nr. 8 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 3 prillit 2003 (paragrafi 60 i mësipërm).
115. Më 29 prill 2004, ajo kërkoi shtetësinë sllovene mbi bazën e nenit 19 të Ligjit për shtetësinë, me ndryshimet që i ishin bërë.
116. Më 15 tetor 2004, ajo qe e pranishme në një mbledhje të shërbimit administrativ të Piranit në kuadrin e procedurës lidhur me kërkesën e saj për një leje qëndrimi të përhershëm. Më 25 tetor 2004, u ftua të plotësonte dosjen e saj.
117. Më 5 nëntor 2004, Instituti i Sigurimeve për Pleqëri dhe Paaftësi në Punë deklaroi se vendet ku kishte qenë e punësuar në Slloveni paditësja ishin të regjistruara në skedarët e saj.
118. Më 6 dhjetor 2004, Ministria e pushoi procedurën lidhur me kërkesën e paditëses për marrjen e një lejeje qëndrimi të përhershëm, për arsye të qëndrimit të saj pa punë dhe të pazotësisë së saj për të provuar se ishte vërtet me vendbanim në Slloveni që prej 23 dhjetorit 1990.
119. Më 18 nëntor 2005, në kuadrin e procedurës lidhur me shtetësinë, Ministria i dha paditëses një afat prej dy muajsh për ta plotësuar dosjen e saj. E interesuara duhej veçanërisht të vërtetonte se ishte vërtet me vendbanim në Slloveni që prej 23 dhjetorit 1990.
120. Më 13 qershor 2006, Ministria e mënjanoi kërkesën për marrjen e shtetësisë sllovene, të paraqitur nga paditësja.
121. Më 10 gusht 2007, kjo e fundit bëri një lutje për të marrë një leje të përkohshme qëndrimi si pjesëtare e familjes së një qytetari slloven.
122. Më 13 shtator 2007, ajo mori një leje të përkohshme qëndrimi, të vlefshme deri më 13 shtator 2012.
123. Më 22 korrik 2010, ajo kërkoi një leje qëndrimi të përhershëm në bazë të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik. Më 1 mars 2011, asaj iu dhanë leje qëndrimi ex nunc dhe ex tunc, të cilat iu lëshuan më 2 mars 2011.
124. Paditësja deklaron se, megjithëse e ka marrë një leje qëndrimi të përhershëm, ajo ndeshet me vështirësi lidhur me sigurimin e saj shëndetësor dhe me ndihmën financiare sociale. Ajo pohon nga ana tjetër se ka probleme të rënda shëndetësore.
4. Znja Ljubenka Ristanović
125. Znja Ristanović ka lindur më 19 nëntor 1968 në Zavidoviçi (Bosnjë‑Hercegovinë). Ajo është aktualisht me shtetësi serbe. Më 1986, ajo shkoi në Lubjanë (Slloveni) për të kërkuar atje punë. Aty u martua dhe, më 20 gusht 1988, lindi një djalë, paditësin e pestë, Tripun Ristanović. Ajo u regjistrua si person me vendbanim të përhershëm në Lubjanë nga 6 gushti 1986 deri më 20 nëntor 1991.
126. Znja Ristanović deklaron se ajo mendonte se e merrte shtetësinë sllovene automatikisht si person me vendbanim të përhershëm. Megjithatë, më 1994, ajo vetë dhe i biri u dënuan nga Sllovenia. Ajo thotë se mori dijeni për “fshirjen” pikërisht në atë moment. Për sa i përket bashkëshortit të Znjës Ristanović, zotërues i një lejeje pune dhe i një lejeje të përkohshme qëndrimi në kohën e ngjarjeve, ai qëndroi në Slloveni dhe fitoi më pas një leje qëndrimi të përhershëm.
127. Sipas Qeverisë së paditur, Znja Ristanović u largua nga komuna ku banonte pa e kërkuar heqjen e saj nga Regjistri i personave me vendbanim të përhershëm dhe të dhënat personale lidhur me të u transferuan nga Regjistri i personave me vendbanim të përhershëm tek ai i personave që kishin “emigruar pa kërkuar të hiqen”.
128. Paditësja deklaron se ka jetuar në Serbi si refugjate dhe se ka qëndruar shumë vite pa dokumente identiteti. Më 2004, paska marrë një letërnjoftim serb dhe më 2005 një pasaportë serbe. Vetë ajo dhe i biri nuk paskan bërë lutje për të marrë as një leje qëndrimi të përhershëm në Slloveni, as shtetësinë sllovene, të vetëdijshëm se për shumë vite nuk e kishin plotësuar kushtin e vendosur nga legjislacioni në fuqi për të qenë vërtet me vendbanim në Slloveni.
129. Znja Ristanović nuk ka nisur procedurë sipas Ligjit të ndryshuar për statusin juridik. Ajo thotë se ka probleme të rënda shëndetësore.
5. Z. Tripun Ristanović
130. Z. Tripun Ristanović, i biri i paditëses së katërt, Znjës Ljubenka Ristanović, ka lindur më 20 gusht 1988 në Lubjanë (Slloveni). Është shtetas i Bosnjë-Hercegovinës. U regjistrua si person me vendbanim të përhershëm në Lubjanë nga 20 gushti 1988 deri më 26 shkurt 1992.
131. Më 1994, Z. Ristanović, asokohe i mitur, u dëbua nga Sllovenia bashkë me të ëmën.
132. Ai jetoi me të ëmën si refugjat në Serbi për shumë vite. Më 2004, autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës i lëshuan një letërnjoftim dhe një pasaportë. Duke mos pasur dokumente identiteti serbe, ai paska jetuar në Serbi me frikën e përhershme se mund të dëbohej.
133. Më 9 nëntor 2010, ai bëri lutje për të marrë një leje qëndrimi të përhershëm në Slloveni në bazë të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik. Pasi iu dhanë më 10 mars 2011 leje qëndrimi ex nunc dhe ex tunc, të cilat iu lëshuan më 11 mars 2011, ai u kthye në Slloveni.
134. Sipas Qeverisë, paditësi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për shpallje si jo kushtetues të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik, e cila iu bashkua atyre të paraqitura nga shoqata Nisma Civile e “Personave të Fshirë” e nga individë të tjerë. Kjo procedurë është aktualisht e papërfunduar (paragrafi 81 i mësipërm).
6. Z. Ali Berisha
135. Z. Berisha ka lindur më 23 maj 1969 në Pejë (Kosovë) në një komunitet rom. Sipas Qeverisë, ai është me shtetësi serbe. Z. Berisha u vendos në Slloveni më 1985. Punoi në një uzinë në Maribor deri më 31 maj 1991. U regjistrua si person me vendbanim të përhershëm në Slloveni nga 6 tetori 1987 deri më 26 shkurt 1992.
136. Më 1991, paska qëndruar për disa kohë në Kosovë me të ëmën e sëmurë, arsye për të cilën nuk e paska kërkuar shtetësinë sllovene në atë kohë.
137. Më 1993, në kthim nga Gjermania ku kishte qenë për vizitë te disa të afërm, paditësi u arrestua nga policia kufitare sllovene. Atij i morën atëherë pasaportën e RSFJ-së dhe e mbajtën për dhjetë ditë në një qendër transiti për të huaj. Paditësi thotë se në atë kohë mori dijeni për “fshirjen”. Ai pohon përveç kësaj se më 3 korrik 1993 u dëbua në drejtim të Tiranës (Shqipëri) pa kurrfarë vendimi të marrë për këtë qëllim. Policia shqiptare e ktheu në Slloveni me arsyetimin se nuk ishte i pajisur me pasaportë të vlefshme. E vendosën përsëri në të njëjtën qendër transiti, nga ku u arratis natën.
138. Më 1993, i interesuari u largua fshehurazi për në Gjermani, ku mori një leje të përkohshme qëndrimi për arsye humanitare, duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë që sundonte në atë kohë në Kosovë.
139. Më 9 gusht 1996, u martua me M.M., e lindur në Kosovë, gjithashtu pjesëtare e një grupi rom. Patën së bashku katër fëmijë nga viti 1997 deri më 2003, ndërkohë që familja jetonte në Gjermani.
140. Më 2005, autoritetet gjermane nuk pranuan ta ripërtërinin lejen e qëndrimit të paditësit, duke e gjykuar situatën në Kosovë si mjaft të qëndrueshme në tërësi, në mënyrë që i interesuari të mund të kthehej atje. Ky mori urdhër për t’u larguar nga Gjermania bashkë me familjen e tij përpara datës 30 shtator 2005.
141. Në një datë të pasaktësuar, paditësi dhe familja e tij kërkuan strehim në Gjermani.
142. Më pas, ata u kthyen në Slloveni.
143. Më 13 korrik 2005, ata bënë lutje për të marrë leje të përkohshme qëndrimi. Më 25 korrik 2005, ata kërkuan gjithashtu leje qëndrimi të përhershëm në bazë të Ligjit për statusin juridik.
144. Nga frika se mos dëboheshin, më 26 shtator 2005 ata kërkuan gjithashtu strehim. Paditësi kërkoi edhe statusin e refugjatit.
145. Më 19 tetor 2005, si pasojë e tërheqjes së kërkesave për strehim nga ana e të interesuarve, Ministria e pushoi procedurën. Ajo urdhëroi kthimin e paditësit dhe të familjes së tij në Gjermani. Një vendim për dëbim u mor më 28 tetor 2005, por nuk u ekzekutua. Më 10 nëntor 2005, u lëshua një vendim i ri për dëbim, i cili e caktonte datën e dëbimit më 18 nëntor 2005. Atëherë paditësi nisi një procedurë përpara Gjykatës Administrative. Më 15 nëntor 2005, kërkesa e tij u pranua.
146. Në atë kohë, çështja pati një jehonë të madhe në nivel kombëtar e ndërkombëtar, falë përpjekjeve të bëra nga Amnesty International.
147. Më 27 shkurt 2006, familja e kërkoi edhe një herë strehimin në Slloveni. Ajo jetonte në atë kohë në një qendër për azilkërkues.
148. Më 28 prill 2006, paditësi nisi një veprim përpara Gjykatës Administrative për t’u ankuar për plogështinë e autoriteteve administrative në kuadrin e procedurës lidhur me lejet e qëndrimit të përhershëm të kërkuara për atë vetë, bashkëshorten e tij dhe katër fëmijët e tyre.
149. Më 19 korrik 2006, autoritetet gjermane i informuan autoritetet sllovene se, në bazë të Rregullores së Dublinit, përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave për strehim të familjes Berisha ishte Gjermania.
150. Më 28 korrik 2006, fëmija i pestë i paditësit lindi në Slloveni.
151. Më 30 tetor 2006, në vijim të vendimit të lartpërmendur të autoriteteve gjermane, Ministria deklaroi se nuk ishte kompetente për t’i shqyrtuar kërkesat për strehim të paditësit dhe të familjes së tij dhe se këta do t’i dorëzoheshin Gjermanisë. Ajo saktësoi gjithashtu se kishte marrë elemente të reja që tregonin se Z. Berisha dhe familja e tij ishin azilkërkues në Gjermani, ku për këtë qëllim përfitonin edhe një ndihmë financiare.
152. Më 5 nëntor 2006, paditësi dhe familja e tij e kundërshtuan vendimin e Ministrisë përpara Gjykatës Administrative. Po atë ditë, ata kërkuan gjithashtu që të mos ekzekutohej vendimi i apeluar dhe e tërhoqën kërkesën e tyre për strehim (paragrafi 147 i mësipërm).
153. Paditësi pohon se, më 7 nëntor 2006, Ministria u përpoq edhe një herë për ta transferuar bashkë me familjen e tij në Gjermani. Më 15 nëntor 2006, Gjykata Administrative e shfuqizoi vendimin për dëbim. Ministria bëri apelim.
154. Më 28 dhjetor 2006, Gjykata e Lartë e la në fuqi vendimin e Ministrisë të datës 30 tetor 2006, sipas të cilit, në bazë të Rregullores së Dublinit, kompetente për të shqyrtuar kërkesën e paditësit për strehim ishte Gjermania.
155. Më 1 shkurt 2007, paditësi dhe familja e tij iu dorëzuan Gjermanisë, ku jetojnë tashmë në situatë “tolerance” (Duldung).
156. As paditësi, as familja e tij, nuk kanë kërkuar shtetësi sllovene.
157. Në kuadrin e procedurës për kërkesë strehimi, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi më 18 prill 2008 një kërkesë kushtetutshmërie të paditësit.
158. Më 19 tetor 2010, në vijim të kërkesës që kishte paraqitur më 25 korrik 2005 (paragrafi 143 i mësipërm), Z. Berisha iu dhanë leje qëndrimi njëherazi ex nunc dhe ex tunc, të cilat iu lëshuan më 24 nëntor 2010 nga konsullata e Sllovenisë në Mynih.
159. Paditësi, i cili vazhdon të jetojë në Gjermani, deklaron se hë për hë nuk kthehet dot në Slloveni, meqenëse të pesë fëmijët dhe bashkëshortja e tij nuk kanë kurrfarë statusi juridik në këtë vend dhe nuk i plotësojnë kushtet për ribashkim familjar sipas Ligjit për të huajt.
160. Në një datë të papërcaktuar, paditësi paraqiti pranë Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë për zhdëmtim, e cila u rrëzua. Sipas Qeverisë së paditur, i interesuari nuk ka nisur procedurë gjyqësore.
7. Z. Ilfan Sadik Ademi
161. A. Ademi ka lindur më 28 korrik 1952 në Shkup (“ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”) në një komunitet rom. Ai është sot shtetas i “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë”. Më 1977, ai u vendos në Slloveni, ku punoi deri më 1992. Aty u regjistrua si person me vendbanim të përhershëm nga 27 shtatori 1977 deri më 26 shkurt 1992.
162. Ai deklaron se e kishte lënë të kalojë afatin për të kërkuar shtetësinë sllovene më 1991. Më 1993, u arrestua nga policia gjatë një kontrolli rutinë. Duke mos pasur dokumente të vlefshme identiteti, u dëbua drejt Hungarisë bashkë me familjen e tij. Thotë se atëherë mori dijeni për “fshirjen”. Pak më vonë, i interesuari dhe familja e tij shkuan në Kroaci, prej ku hynë përsëri në mënyrë të paligjshme në Slloveni.
163. Ndërkohë paditësi, me ndihmën e një avokati, kishte paraqitur më 23 nëntor 1992 një kërkesë për marrjen e shtetësisë sllovene.
164. Më pas, ai shkoi në Gjermani ku, meqë ishte deklaruar si person pa shtetësi, mori një leje të përkohshme qëndrimi dhe një pasaportë për të huaj.
165. Më 9 shkurt 1999, bëri kërkesë për një pasaportë pranë Ambasadës së “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë”, por mori përgjigje negative me arsyetimin se nuk ishte shtetas i kësaj republike.
166. Më 16 shkurt 2005, paditësi kërkoi një leje qëndrimi të përhershëm në Slloveni në bazë të Ligjit për statusin juridik. Më 20 prill 2005, Ministria e ftoi të plotësonte dosjen e tij duke vërtetuar shtetësinë e vet.
167. Më 26 maj 2005, paditësit iu rrëzua kërkesa me arsyetimin se ishte person pa shtetësi. Ministria deklaroi se Ligji për statusin juridik zbatohej vetëm për shtetasit nga shtetet e tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së.
168. Më 11 korrik 2005, Ministria iu përgjigj një letre të paditësit, ku ky i fundit bënte lutje për një rishqyrtim të kërkesës për marrjen e shtetësisë sllovene, të cilën e kishte paraqitur më 1992. Ajo e informoi që, meqenëse në dosjen e tij dilte se ai nuk kishte jetuar në Slloveni gjatë dhjetë viteve të mëparshme, ky nuk i plotësonte kushtet për dhënien e shtetësisë sllovene në bazë të Ligjit për shtetësinë, në versionin e tij të ndryshuar.
169. Më 9 shtator 2005, paditësit iu rrëzua kërkesa për shtetësinë.
170. Më 31 korrik 2007, ai kërkoi përsëri një leje qëndrimi të përhershëm në bazë të Ligjit për statusin juridik. Më 31 mars 2008, Ministria e rrëzoi kërkesën e tij, përsëri me arsyetimin se nuk ishte shtetas i asnjë prej shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së. Paditësi nisi atëherë një procedurë përpara Gjykatës Administrative.
171. Më 18 shkurt 2009, ky juridiksion e la në fuqi vendimin me anë të të cilit Ministria e kishte rrëzuar kërkesën e të interesuarit me synimin për të marrë një leje qëndrimi të përhershëm. Paditësi bëri apelim.
172. Më 6 tetor 2010, Gjykata e Lartë i dha të drejtë apelimit dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim. Ajo vuri në dukje se gjatë këtij intervali ishte miratuar Ligji i ndryshuar për statusin juridik dhe se kërkesa duhej të shqyrtohej në dritën e legjislacionit të ri. Gjatë kësaj procedure, paditësi paraqiti një pasaportë të “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë”, e cila ishte lëshuar më 19 gusht 2010.
173. Më 20 prill 2011, Z. Ademi iu dhanë leje qëndrimi ex nunc dhe ex tunc, të cilat iu lëshuan më 23 maj 2011.
174. Paditësi, i cili është me probleme të rënda shëndetësore, jeton aktualisht herë në Slloven, herë në Gjermani ku, ndërkohë, nuk e ka më të drejtën për qëndrim.
8. Z. Zoran Minić
175. Z. Minić ka lindur më 4 prill 1972 në Podujevë (Kosovë). Sipas Qeverisë, ai është me shtetësi serbe. I interesuari u vendos bashkë me familjen e tij në Slloveni më 1977. Pasi përfundoi arsimin e ulët, ndoqi një kurs trevjeçar për kuzhinier në një institucion të arsimit të mesëm. U regjistrua si person me vendbanim në Slloveni nga 1 gushti 1984 deri më 26 shkurt 1992.
176. Paditësi deklaron se më 1991 shkoi për vizitë te gjyshërit e tij në Kosovë. Për këtë arsye, ai vetë dhe familja e tij e paskan kapërcyer me një muaj afatin e caktuar për paraqitjen e kërkesës së tyre për marrjen e shtetësisë sllovene, meqenëse lufta në Kosovë e kishte bërë të vështirë mbledhjen e dokumenteve të kërkuara. Sipas Qeverisë, asgjë nuk tregon që Z. Minić ta ketë kërkuar shtetësinë sllovene më 1991. Për më tepër, nga vërtetimet e punës të të interesuarit dalka se ai ishte i punësuar në Podujevë nga viti 1992 derri më 1999. Paditësi u martua me një shtetase serbe, me të cilën u bë me katër fëmijë.
177. Ai pohon se e zbuloi që emri i tij dhe i pjesëtarëve të tjerë të familjes së vet ishin “fshirë”, kur kërkoi të ndreqte situatën e vet në Slloveni. Meqenëse pa status juridik kushtet e jetesës ishin të padurueshme në Slloveni, ai qenka detyruar të shpërngulej përkohësisht në Kosovë.
178. Ai u kthye përsëri në Slloveni në disa raste. Më 2002, u arrestua aty nga policia për arsyen se po punonte pa leje. U ndoq penalisht, u dënua me gjobë dhe, më 5 qershor 2002, u dëbua drejt Hungarisë pa u marrë asnjë vendim zyrtar për atë qëllim, dhe kjo pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 4 shkurtit 1999 (paragrafët 41-48 të mësipërm).
179. Paditësi deklaron se, për shumë vite, ai nuk e gjykoi si me dobi që të kërkonte ndonjë status juridik në Slloveni, i vetëdijshëm që nuk i plotësonte kushtet për dhënien e shtetësisë sllovene apo të një lejeje qëndrimi të përhershëm në bazë të legjislacionit në fuqi në atë kohë. Për sa i përket familjes së tij, e ëma e mori më së fundi shtetësinë sllovene më 2000, ndërsa të vëllezërit e të motrat më 2003.
180. Pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 3 prillit 2003 (paragrafët 58-60 të mësipërm), paditësi e kërkoi shtetësinë sllovene më 15 shtator 2003 në bazë të nenit 19 të Ligjit për shtetësinë, në versionin e tij të ndryshuar.
181. Pesë herë me radhë ndërmjet 26 prillit dhe 9 tetorit 2004, Ministria e ftoi të interesuarin ta plotësonte dosjen e tij duke paraqitur elemente që provonin sidomos se ai jetonte në mënyrë të përhershme në Slloveni që prej 23 dhjetorit 1990. Duke mos e plotësuar këtë kërkesë, paditësi u thirr në Ministri.
182. I dëgjuar më 17 dhjetor 2004, ai i pohoi informacionet lidhur me të kaluarën e tij profesionale, sipas të cilave kishte punuar në Podujevë (Kosovë) nga 8 korriku 1992 deri më 6 prill 1999 dhe nuk kishte jetuar pra pa ndërprerje në Slloveni që nga 23 dhjetori 1990.
183. Për pasojë, më 21 shkurt 2006, kërkesa e tij për shtetësi u rrëzua. Ky vendim iu njoftua midis 28 qershorit dhe 2 korrikut 2006, gjatë një udhëtimi në Slloveni.
184. Më 17 korrik 2006, paditësi nisi një procedurë përpara Gjykatës Administrative.
185. Më 30 qershor 2006, ai kërkoi një leje qëndrimi të përhershëm në bazë të Ligjit për statusin juridik.
186. Më 29 mars 2007, u thirr në Ministri. Më 14 korrik 2007, paraqiti dokumente shtesë në mbështetje të kërkesës së tij.
187. Më 18 korrik 2007, Ministria e rrëzoi kërkesën, duke çmuar që i interesuari nuk e kishte provuar se e plotësonte kushtin e qenies vërtet me vendbanim në Slloveni.
188. Më 19 shtator 2007, paditësi nisi një procedurë përpara Gjykatës Administrative.
189. Më 10 shtator 2008, në kuadrin e një procedure administrative lidhur me kërkesën për marrjen e shtetësisë sllovene të paraqitur nga paditësi, Gjykata Kushtetuese e mënjanoi ankesën për kushtetutshmëri me të cilën i ishte drejtuar ky i fundit.
190. Më 26 nëntor 2008, Gjykata Administrative e shfuqizoi vendimin e dhënë nga Ministria më 18 korrik 2007 (paragrafi 187 i mësipërm) dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.
191. Më 24 korrik 2009, Ministria e rrëzoi sërish kërkesën e paditësit, duke çmuar se ai nuk e plotësonte kriterin e qenies vërtet me vendbanim në Slloveni.
192. Paditësi nisi atëherë një procedurë të re përpara Gjykatës Administrative. Ai deklaroi se kishte qenë bllokuar në Kosovë më 1992 dhe se, që atëherë, kishte ardhur sa më shpesh në Slloveni, por se lufta dhe rrethana të tjera e kishin penguar të bënte aty vizita të shpeshta. Përveç kësaj, si serb i Kosovës, ai paskësh marrë statusin e personit të shpërngulur në Serbi pas djegies së shtëpisë së tij në Kosovë. Ai qenkësh përpjekur disa herë për ta ndrequr situatën e tij në Slloveni, por qenkësh dëbuar nga ky vend më 2002. Prindërit e tij, i vëllai dhe dy motrat e paskëshin marrë të gjithë shtetësinë sllovene.
193. Më 19 janar 2011, Gjykata Administrative e shfuqizoi vendimin e Ministrisë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim duke vënë në dukje se kërkesa e të interesuarit duhej të trajtohej mbi bazën e Ligjit të ndryshuar për statusin juridik.
194. Më 4 maj 2011, paditësit iu dhanë leje qëndrimi ex nunc dhe ex tunc, të cilat iu lëshuan më 9 qershor 2011.
195. Ndërkohë, më 1 qershor 2011, paditësi kishte paraqitur një kërkesë për zhdëmtim pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo e fundit ia rrëzoi atë për arsye të kalimit të afatit ligjor, duke çmuar se i interesuari kishte qenë në dijeni për dëmin e shkaktuar prej “fshirjes” qëkurse kishte kërkuar shtetësinë sllovene dhe një leje qëndrimi të përhershëm.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME DHE NDËRKOMBËTARE LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. E drejta dhe praktika e brendshme
2. Legjislacioni i ish-Republikës Socialiste të Sllovenisë
a) Ligji për shtetësinë në Republikën Socialiste të Sllovenisë (Zakon o državljanstvu Socialistične republike Slovenije – Gazeta Zyrtare e RSS-së, nr. 23/76 e vitit 1976)
196. Sipas nenit 1 të këtij ligji, çdo shtetas i Republikës Socialiste të Sllovenisë ishte njëkohësisht shtetas i RSFJ-së, çka vendoste përparësinë e shtetësisë së republikës.
b) Ligji për qarkullimin dhe qëndrimin e të huajve (Zakon o gibanju in prebivanju tujcev – Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr. 56/80 e vitit 1980), në përmbajtjen e tij të ndryshuar
197. Ky ligj bënte dallimin midis lejes së qëndrimit të përkohshëm ose të përhershëm të dhënë një të huaji në territorin e shtetit dhe vendbanimit të përkohshëm ose të përhershëm të një shtetasi të RSFJ-së, domethënë vendit ku ai banonte realisht.
c) Ligji për regjistrin e popullsisë dhe të personave me vendbanim (Zakon o evidenci nastanitve občanov in o registru prebivalstva – Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr. 6/83 e vitit 1983 dhe 11/91 e vitit 1991)
198. Ky ligj përcaktonte regjistrimin dhe çregjistrimin e vendbanimit të përhershëm dhe të vendbanimit të përkohshëm, si edhe mbajtjen e regjistrave të popullsisë në territorin slloven.
199. Neni 5 i këtij ligji, në përmbajtjen e tij të ndryshuar më 1991, lexohej kështu:
“Regjistrimi i vendbanimit të përhershëm dhe çdo ndryshim adrese është i detyrueshëm për çdo banor sa herë që ai vendoset në mënyrë të përhershme në një vend apo ndryshon adresë. Çregjistrimi i vendbanimit të përhershëm është i detyrueshëm për çdo banor që largohet nga territori i Republikës së Sllovenisë.”
2. Legjislacioni i Republikës së Sllovenisë
a) Deklarata e qëllimeve të mira (Izjava o dobrih namenih – Gazeta Zyrtare e Republikës së Sllovenisë (“RS”), nr. 44/90-I e vitit 1990)
200. Deklarata e qëllimeve të mira, e miratuar më 6 dhjetor 1990 gjatë përgatitjes së plebishitit për pavarësinë e Sllovenisë, shpreh zotimin e shtetit për të respektuar disa vlera në kërkimin e pavarësisë. Dispozita e këtij dokumenti e cila ka lidhje me çështjen shprehet kështu:
“(...) Shteti slloven (...) u garanton të gjithë pjesëtarëve të kombeve dhe kombësive të tjera të drejtën për lëvrimin e plotë të kulturës së tyre dhe të gjuhës së tyre dhe të gjithë personave me vendbanim të përhershëm në Slloveni të drejtën për ta marrë shtetësinë sllovene nëse e dëshirojnë (...).”
b) Akti kushtetues themelor për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Sllovenisë (Temeljna ustavna listina o samostojnosti in neodvisnosti Republike Slovenije – Gazeta Zyrtare e RS-së nr. 1/91-I e vitit 1991)
201. Pjesët përkatëse të Aktit kushtetues themelor për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Sllovenisë, të botuar më 25 qershor 1991, përcaktojnë:
Neni III
“Republika e Sllovenisë u garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore të gjithë personave që ndodhen në territorin e Republikës së Sllovenisë, pa dallim përkatësie kombëtare dhe pa asnjë diskriminim, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Sllovenisë dhe me traktatet detyruese ndërkombëtare (...).”
c) Ligji kushtetues i vitit 1991 lidhur me Aktin kushtetues themelor për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Sllovenisë (Ustavni zakon za izvedbo Temeljne ustavne listine o samostojnosti in neodvisnosti RS – Gazeta Zyrtare e RS-së nr. 1/91-I e vitit 1991)
202. Dispozitat përkatëse të ligjit kushtetues të vitit 1991 parashtrojnë se:
Neni 13
“Shtetasit e republikave të tjera [të ish-RSFJ-së] të cilët, më 23 dhjetor 1990, datë e mbajtjes së plebishitit për pavarësinë e Republikës së Sllovenisë, kanë qenë të regjistruar si persona me vendbanim të përhershëm në Republikën e Sllovenisë dhe kanë qenë vërtet me vendbanim aty, do të gëzojnë, deri në marrjen e shtetësisë sllovene sipas nenit 40 të Ligjit për shtetësinë e Republikës së Sllovenisë ose deri në përfundimin e afatit të caktuar në nenin 81 të Ligjit për të huajt, të njëjtat të drejta dhe detyra si shtetasit e Republikës së Sllovenisë (...).”
d) Kushtetuta e Republikës së Sllovenisë (Ustava Republike Slovenije – Gazeta Zyrtare nr. 33/91-I e vitit 1991)
203. Dispozitat përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Sllovenisë shprehen kështu:
Neni 8
“Ligjet dhe rregulloret duhet të jenë në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare të njohura botërisht dhe me traktatet ndërkombëtare që përbëjnë detyrim për Slloveninë. Traktatet e ratifikuara e të botuara zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë.”
Neni 14
“Në Slloveni, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore u garantohen të gjithëve në mënyrë të barabartë, pa asnjë dallim mbi bazën e prejardhjes kombëtare, racës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, gjendjes materiale, prejardhjes familjare, arsimit, gjendjes shoqërore apo çdolloj situate tjetër personale.
Të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara ligjit.”
Neni 26
“Cilido ka të drejtë të zhdëmtohet për çdo dëm që mund t’i jetë shkaktuar nga veprime të paligjshme të kryera nga një individ ose organ në ushtrimin e funksioneve të tij ose të veprimtarive të tij në shërbim të shtetit apo të një autoriteti vendor, apo si i veshur me një funksion publik.
Personi i dëmtuar ka përveç kësaj të drejtën që, në përputhje me ligjin, t’i kërkojë drejtpërdrejt zhdëmtim personit ose organit që ia ka shkaktuar dëmin.”
(...)
f) Ligji për shtetësinë në Republikën e Sllovenisë (Zakon o državljanstvu Republike Slovenije – Gazeta Zyrtare nr. 1/91-I dhe 30/91 e vitit 1991 dhe 96/2002 e vitit 2002)
205. Dispozitat përkatëse të Ligjit për shtetësinë shprehen kështu:
Neni 10
“Autoriteti kompetent mundet që, në kuadrin e pushtetit të tij vetëgjykimor, t’ia japë natyralizimin një personi që e kërkon atë, në qoftë se kjo masë është në përputhje me interesin kombëtar. Kërkuesi duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
1. të ketë mbushur 18 vjeç;
2. të jetë çliruar nga shtetësia që ka në momentin e kërkesës ose të provojë se do të çlirohet [prej saj] nëse merr shtetësinë e Republikës së Sllovenisë;
3. të mund të dëshmojë se kanë qenë vërtet me vendbanim në Slloveni për një periudhë prej dhjetë vjetësh, nga e cila një periudhë vendqëndrimi të pandërprerë për pesë vitet që i paraprijnë menjëherë paraqitjes së kërkesës;
4. të ketë një burim të përhershëm e të garantuar të ardhurash, për një shumë që lejon të mbulohet së paku një siguri materiale dhe shoqërore;
5. të ketë një zotërim të gjuhës sllovene që t’i lejojë të komunikojë në jetën e përditshme;
6. të mos jetë dënuar me burgim për më shumë se një vit në vendin ku është shtetas ose në Slloveni për një vepër penale që ndëshkohet si nga e drejta penale e vendit të tij ashtu edhe nga ajo e Republikës së Sllovenisë;
7. të mos jetë person të cilit i është ndaluar qëndrimi në Republikën e Sllovenisë;
8. të mos përbëjë kërcënim për rendin publik, sigurinë ose mbrojtjen e shtetit në qoftë se natyralizohet;
(...).”
Neni 39
“Shtetas të Republikës së Sllovenisë konsiderohen në bazë të këtij ligji të gjithë personat që e kishin marrë shtetësinë e Republikës së Sllovenisë dhe shtetësinë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë mbi bazë ligjesh të vlefshme. »
Neni 40
“Çdo shtetas i një republike tjetër [të ish-RSFJ-së] i cili, më 23 dhjetor 1990, datë e plebishitit për pavarësinë e Republikës së Sllovenisë, ka qenë i regjistruar si person me vendbanim të përhershëm në Republikën e Sllovenisë dhe i cili është vërtet me vendbanim aty, mund ta marrë shtetësinë e Republikës së Sllovenisë nëse paraqet, brenda një afati prej gjashtë muajsh duke filluar nga hyrja në fuqi e këtij ligji, një kërkesë pranë shërbimeve administrative të ngarkuara me punët e brendshme të komunës ku është me vendbanim (...).”
206. Më 14 nëntor 2002, Ligji për shtetësinë i Republikës së Sllovenisë u ndryshua. Ai përcakton:
Neni 19
“Një i rritur që, më 23 dhjetor 1990, ka qenë i regjistruar si person me vendbanim të përhershëm në territorin e Republikës së Sllovenisë dhe që është aty me vendbanim në mënyrë të pandërprerë që prej asaj date, mund ta kërkojë shtetësinë e Republikës së Sllovenisë brenda një afati njëvjeçar duke filluar nga hyrja në fuqi e këtij ligji, në qoftë se plotëson kushtet që përcaktohen aty (...).
Kur vendos mbi bazën e pikës pararendëse nëse kërkuesi i plotëson kushtet e përcaktuara në (...) këtë ligj, autoriteti kompetent mund të marrë parasysh kohëzgjatjen e qëndrimit të të interesuarit në këtë shtet, lidhjet e tij personale, familjare, profesionale, shoqërore e të tjera me Republikën e Sllovenisë dhe pasojat që do të sillte një mospranim për kërkuesin.
(...).”
g) Ligji për të huajt (Zakon o tujcih – Gazet Zyrtare nr. 1/91-I e vitit 1991)
207. Dispozitat përkatëse të Ligjit për të huajt shpreheshin kështu:
Neni 13
“Çdo i huaj i cili hyn në territorin e Republikës së Sllovenisë me një pasaportë të vlefshme mund të qëndrojë aty për tre muaj ose për aq kohë sa është vlefshmëria e vizës që do t’i jetë lëshuar atij, nëse nuk përcaktohet ndryshe nga një marrëveshje ndërkombëtare (...).
Çdo i huaj i cili dëshiron të qëndrojë në territorin e Republikës së Sllovenisë përtej afatit të parashikuar në pikën pararendëse për arsye që kanë të bëjnë me ndjekje studimesh, specializim, punësim, trajtim mjekësor, marrje përvoje profesionale ose sepse është martuar me një shtetas të Republikës së Sllovenisë, zotëron pasuri të patundshme në territorin e Republikës së Sllovenisë ose gëzon të drejta që lidhen me një vend pune në këtë shtet apo për çdolloj arsyeje tjetër të vlefshme e cila kërkon që ai të qëndrojë me vendbanim në territorin e këtij shteti, duhet të kërkojë (...) një leje të përkohshme qëndrimi.
(...).”
Neni 16
“Një të huaji mund t’i jepet një leje qëndrimi të përhershëm kur ai është që prej tre vjetësh me vendbanim në mënyrë të pandërprerë në territorin e Republikës së Sllovenisë në bazë të një lejeje të përkohshme qëndrimi dhe kur ai i plotëson kushtet për dhënien e një lejeje qëndrimi të përhershëm në territorin e Republikës së Sllovenisë, të cilat përmenden në pikën e dytë të nenit 13 të këtij ligji (...).”
Neni 23
“Një të huaji që është me vendbanim në territorin e Republikës së Sllovenisë mbi bazën e një pasaporte të huaj, një vize, një lejeje hyrje apo një marrëveshjeje ndërkombëtare (...) apo të cilit i është dhënë një leje e përkohshme qëndrimi (...) mund t’i refuzohet lejimi për të qëndruar në këtë vend:
i. kur këtë e kërkojnë arsye që kanë të bëjnë me rendin publik, sigurinë ose mbrojtjen e shtetit;
ii. në qoftë se nuk pranon t’i përmbahet një vendimi të autoriteteve të shtetit;
iii. në qoftë se shkel në mënyrë të përsëritur rendin publik, dispozitat lidhur me sigurinë e kufijve kombëtarë ose dispozitat e këtij ligji;
iv. në qoftë se është dënuar nga një juridiksion i huaj ose kombëtar për një vepër penale e cila ndëshkohet me një dënim me burgim për të paktën tre muaj;
v. në qoftë se nuk ka më mjete të mjaftueshme jetese dhe në qoftë se jetesa e tij nuk është e garantuar në një mënyrë tjetër;
vi. në qoftë se këtë e kërkon mbrojtja e shëndetit publik.”
Neni 28
“Kur një i huaj nuk i bindet vullnetarisht një urdhri për t’u larguar nga territori i Republikës së Sllovenisë të marrë nga autoriteti kompetent ose nga shërbimet administrative të ngarkuara me punët e brendshme, ose kur ai qëndron në territorin e Republikës së Sllovenisë përtej periudhës së parashikuar në pikën e parë të nenit 13 të këtij ligji apo periudhës së përcaktuar me vendimin që i jepte atij një lejim për qëndrim të përkohshëm, një punonjës i autorizuar i punëve të brendshme mund ta shoqërojë atë në kufirin e shtetit ose në përfaqësinë diplomatike a konsullore të vendit shtetas i të cilit ai është dhe t’i japë urdhër të kapërcejë kufirin ose t’ia dorëzojë atë përfaqësuesit të një shteti të huaj.
Kur një i huaj nuk largohet nga territori i Republikës së Sllovenisë në përputhje me dispozitat e pikës së mësipërme dhe, për një arsye të çfarëdoshme, ai nuk mund të kthehet menjëherë, autoriteti kompetent i ngarkuar me punët e brendshme urdhëron vendosjen e tij në një qendër transiti për të huaj për një periudhë që nuk i tejkalon tridhjetë ditë, nëse ka arsye për të besuar se i interesuari do të kërkojë t’i shmanget masës së kthimit që drejtohet kundër tij.
Kur një i huaj nuk mund të largohet menjëherë nga territori i Republikës së Sllovenisë, por ka mjete të mjaftueshme jetese, një autoritet i ngarkuar me punët e brendshme mund t’i caktojë një vend tjetër banimi.”
Neni 81
“Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për shtetasit e RSFJ-së që janë shtetas të republikave të tjera dhe që e kërkojnë shtetësinë sllovene mbi bazën e nenit 40 të Ligjit për shtetësinë të Republikës së Sllovenisë brenda një afati gjashtëmujor që nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, për sa kohë që vendimi i dhënë në kuadrin e procedurës administrative lidhur me kërkesën e tyre për shtetësinë nuk është i formës së prerë.
Për sa u përket shtetasve të RSFJ-së që janë shtetas të republikave të tjera por që nuk e kërkojnë shtetësinë e Republikës së Sllovenisë brenda afati të përcaktuar në pikën e mësipërme apo të cilëve u mohohet shtetësia, dispozitat e këtij ligji zbatohen pas një periudhe prej dy muajsh duke nisur nga përfundimi i afatit të caktuar për të kërkuar shtetësinë ose pasi ka marrë formë të prerë vendimi i dhënë lidhur me kërkesën e tyre.”
Neni 82
“(...) Një leje qëndrimi të përhershëm, e lëshuar në bazë të Ligjit për qarkullimin dhe qëndrimin e të huajve (...) mbetet e vlefshme në qoftë se i huaji që e zotëron në leje të tillë është me vendbanim në mënyrë të përhershme në territorin e Republikës së Sllovenisë në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
208. Me qëllim për t’ua lehtësuar marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm shtetasve të republikave të tjera të ish-RSFJ-së që nuk e kishin kërkuar shtetësinë sllovene ose që nuk kishin marrë leje qëndrimi në bazë të Ligjit për të huajt, Qeveria miratoi, më 3 shtator 1992, vendimin e mëposhtëm:
“(...) gjatë shqyrtimit të kërkesave për leje qëndrimi të përhershëm, të paraqitura nga të huajt për të cilët bëhet fjalë në nenin 16 të Ligjit për të huajt (...), Ministria e Brendshme është e mendimit se kushti i vendbanimit të përhershëm në territorin e Republikës së Sllovenisë plotësohet atëherë kur i huaji është i regjistruar si person me vendbanim të përhershëm prej të paktën tre vjetësh dhe ka qenë vërtet me vendbanim në territorin e Republikës së Sllovenisë përpara se të bëheshin të zbatueshme për të dispozitat e Ligjit për të huajt.”
h) Ligji i vitit 1999 për të huajt (Zakon o tujcih – Gazeta Zyrtare nr. 61/99, 108/2002, 112/2005, 107/2006, 71/2008 dhe 64/2009)
209. Ligji i vitit 1999 për të huajt zëvendësoi atë të vitit 1991. Më vonë atij iu bënë ndryshime. Më 2011, ai u zëvendësua me një ligj të ri për të huajt (Gazeta Zyrtare nr. 50/2011).
i) Ligji për rregullimin e statusit juridik të shtetasve të shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së të cilët ndodhen me vendbanim në Republikën e Sllovenisë (“Ligji për statusin juridik” – Zakon o urejanju statusa državljanov drugih držav naslednic nekdanje SFRJ v Republiki Sloveniji – Gazeta Zyrtare nr. 61/99 e vitit 1999 dhe 54/2000 e vitit 2000)
210. Dispozitat përkatëse të këtij ligji, të miratuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 4 shkurtit 1999 (paragrafët 41‑48 të mësipërm), përcaktonin:
Neni 1
“Shtetasve të shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së, të cilët ishin të regjistruar si persona me vendbanim të përhershëm në territorin e Republikës së Sllovenisë më 23 dhjetor 1990 dhe që janë sot vërtet me vendbanim në Republikën e Sllovenisë, dhe shtetasve të shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së, të cilët ishin vërtet me vendbanim në Republikën e Sllovenisë më 25 qershor 1991 dhe që janë me vendbanim aty pa ndërprerje që prej asaj kohe, do t’u lëshohet një leje qëndrimi të përhershëm, pavarësisht nga dispozitat e Ligjit për të huajt (...), në qoftë se i plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë ligj.”
Neni 2
“Kërkesat për leje qëndrimi të përhershëm duhet të paraqiten brenda një afati tremujor që nga hyrja në fuqi e këtij ligji (...).
Çdo shtetas i një shteti tjetër pasardhës të ish-RSFJ-së që ka paraqitur një kërkesë për leje qëndrimi të përhershëm në bazë të nenit 40 të Ligjit për shtetësinë e Republikës së Sllovenisë (...), por të cilit i është njoftuar një vendim mospranimi, mund të bëjë një kërkesë mbi bazën e pikës pararendëse brenda një afati tremujor që nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji ose nga data kur vendimi ka marrë formë të prerë, nëse kjo e fundit është më e vonë sesa hyrja në fuqi e këtij ligji (...).”
211. Më 24 korrik 2011 ka hyrë në fuqi Ligji i ndryshuar për statusin juridik (Zakon o spremembah in dopolnitvah Zakona o urejanju statusa državljanov drugih držav naslednic nekdanje SFRJ v Republiki Sloveniji, Gazeta Zyrtare nr. 50/2010). Neni i tij 1 č) përcakton:
“Në kuptimin e këtij ligji, të qenët vërtet me vendbanim ne Republikën e Sllovenisë do të thotë, për personin në fjalë, që ta ketë në këtë vend qendrën e interesave të tij jetike, një nocion ky që u referohet marrëdhënieve personale, familjare, ekonomike, shoqërore e të tjera të personit, të cilat janë në gjendje të provojnë ekzistencën e lidhjeve të vërteta e të përhershme ndërmjet tij dhe Republikës së Sllovenisë. Një mungesë nga Republika e Sllovenisë e përligjur me një prej arsyeve të përmendura në pikën e tretë të këtij neni nuk shkakton ndërprerje të qenies vërtet me vendbanim në Slloveni.
Kushti i qenies vërtet me vendbanim në Slloveni plotësohet në qoftë se personi është larguar nga Sllovenia, por mungesa e tij, cilado qoftë arsyeja e saj, nuk ka zgjatur më shumë se një vit.
Kushti i qenies vërtet me vendbanim në Slloveni plotësohet gjithashtu në qoftë se mungesa ka zgjatur më shumë se një vit, por ka qenë e përligjur nga një prej arsyeve të mëposhtme:
–personi është larguar nga Sllovenia pas fshirjes së tij nga Regjistri i personave me vendbanim të përhershëm;
– personi është larguar nga Sllovenia pasi është ftuar të shkojë për të punuar jashtë shtetit ose për të ndjekur atje studime apo një trajtim mjekësor nga ana e një entiteti juridik slloven ose, në rastin e një të mituri, nga ana e prindërve ose e kujdestarëve të tij, ose sepse ka punuar në bordin e një anijeje të regjistruar në një port të Sllovenisë, duke qenë e qartë se e vetmja kohëzgjatje që merret parasysh është ajo e emërimit, e studimeve, e trajtimit mjekësor apo e punësimit në bordin e anijes;
– personi është larguar nga Sllovenia sepse nuk ka mundur të marrë një leje qëndrimi në këtë vend për arsyen se nuk i plotësonte kushtet e kërkuara dhe se kërkesa e tij për t’i dhënë një leje ishte mënjanuar për arsye procedure a themeli apo se ishte pushuar procedura për këtë qëllim;
– personi është ndodhur në pamundësi për t’u rikthyer në Slloveni për shkak të gjendjes së luftës që mbisundonte në shtete të tjera pasardhëse të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë apo për arsye mjekësore;
– personi është dëbuar nga Sllovenia në zbatim të nenit 28 (...) ose të nenit 50 të Ligjit për të huajt (...) me përjashtim të rastit nëse është fjala për një të huaj të dëbuar nga vendi për arsyen se ka qenë gjetur fajtor për një vepër penale;
– personit nuk i është lejuar hyrja në territorin slloven, me përjashtim të rastit nëse ky moslejim ka qenë si rrjedhojë e një dënimi plotësues me dëbim që ndëshkonte një vepër penale (...).
Nëse mungesa për një nga arsyet e përmendura në pikën pararendëse, me përjashtim të rastit të dytë, ka zgjatur më shumë se pesë vjet, kushti i qenies vërtet me vendbanim quhet i plotësuar, për këtë periudhë pesëvjeçare të shtuar me një periudhë tjetër pesëvjeçare, vetëm në qoftë se sjellja e personit në fjalë tregon se, gjatë kësaj mungese, ai është përpjekur të kthehet në Slloveni dhe të vazhdojë të jetë vërtet me vendbanim aty.
Në vështrim të këtij ligji, një leje qëndrimi të përhershëm ose një vendim i posaçëm lidhur me dhënien me efekt prapaveprues të një lejeje qëndrimi të përhershëm dhe regjistrimi i vendbanimit të përhershëm ose një vendim plotësues i marrë në zbatim të pikë 8 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese (...) nr. U‑1‑246/02‑28 të 3 prillit 2003 (...) nuk nënkuptojnë që kushti i qenies vërtet me vendbanim në Slloveni duhet të quhet i plotësuar në kuadrin e një procedure të nisur në bazë të Ligjit për shtetësinë e Republikës së Sllovenisë.”
j) Rregullore për skedat e regjistrimit dhe të çregjistrimit të vendbanimit të përhershëm, për skedën personale dhe familjare dhe për modalitetet e mbajtjes dhe të administrimit të Regjistrit të personave me vendbanim të përhershëm (Pravilnik o obrazcu za prijavo oziroma odjavo stalnega prebivališča, o obrazcu osebnega kartona in kartona gospodinjstev ter o načinu vodenja in vzdrževanja registra stalnega prebivalstva – Gazeta Zyrtare nr. 27/92 e vitit 1992)
212. Dispozita përkatëse e kësaj rregulloreje shprehet kështu:
Neni 5
“Regjistri i personave me vendbanim të përhershëm përmban të dhëna rreth qytetarëve të Republikës së Sllovenisë që e kanë regjistruar vendbanimin e tyre të përhershëm në territorin e komunës përkatëse.
Në Regjistrin e personave me vendbanim të përhershëm, autoriteti kompetent identifikon qytetarët e Republikës së Sllovenisë që shkojnë përkohësisht jashtë shtetit për më shumë se tre muaj, si edhe personat që ai nuk ka pranuar t’i regjistrojë si persona me vendbanim të përhershëm (...).”
k) Ligji për Prokurorinë e Përgjithshme (Zakon o državnem pravobrailstvu – Gazeta Zyrtare nr. 94/07)
213. Dispozita përkatëse e këtij ligji përcakton:
Neni 14
“Nëse një person ka ndër mend të nisë një procedurë civile apo tjetër kundër një entiteti të mbrojtur nga Prokuroria e Përgjithshme, ai duhet paraprakisht t’i paraqesë kësaj të fundit një propozim që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Prokuroria e Përgjithshme duhet, sa më parë dhe jo më vonë se brenda tridhjetë ditësh, të marrë masat e përshtatshme dhe ta informojë personin në fjalë për qëndrimin e saj.
3. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Sllovenisë
a) Vendimi i 4 shkurtit 1999 (çështja U-I-284/94)
214. Pjesët e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese (paragrafët 41-48 të mësipërm), që kanë të bëjnë me çështjen në fjalë, shprehen kështu:
“Gjatë seancës së saj të 4 shkurtit 1999 kushtuar shqyrtimit të ankesës për papajtueshmëri me Kushtetutën të paraqitur nga B. M. dhe V. T., (...), Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin e mëposhtëm:
1. Ligji për të huajt (Gazeta Zyrtare e RS-së, nr. 1/91-I, 44/97 dhe 50/98) është i papajtueshëm me Kushtetutën për arsyen se ai nuk parashikon, për personat e synuar në nenin e tij 81, pika e dytë, kushtet e marrjes së një lejeje qëndrimi të përhershëm pas përfundimit të afatit gjatë të cilit ata e kishin mundësinë për të kërkuar shtetësinë sllovene, kur ata nuk e kanë bërë këtë gjë ose pasi atyre u është rrëzuar në formë të prerë kërkesa në këtë drejtim.
(...)
3. Ligjvënësi ka detyrimin që t’i japë fund papajtueshmërisë me Kushtetutën të vënë re në pikën 1 të vendimit përfundimtar brenda një afati prej gjashtë muajsh nga dita e botimit të këtij vendimi në Gazetën Zyrtare të Republikës së Sllovenisë.
4. Gjatë këtij intervali, asnjë vendim për dëbim nuk mund të merret në bazë të nenit 28 të Ligjit për të huajt ndaj shtetasve të republikave të tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë nëse, më 23 dhjetor 1990, datë e plebishitit, ata ishin të regjistruar si persona me vendbanim të përhershëm në Republikën e Sllovenisë dhe nëse janë vërtet me vendbanim në këtë vend.
Arsyet
(...)
14. Për Gjykatën Kushtetuese, dispozitat e nenit 13, pika e dytë, dhe të nenit 16, pika e parë, të Ligjit për të huajt nuk do të ishte dashur të zbatoheshin ndaj shtetasve të republikave të tjera të cilët nuk e kanë marrë shtetësinë sllovene. Autoritetet kompetente nuk do të ishte dashur aq më tepër ta transferonin me nismën e vet emrin e këtyre personave nga Regjistri i personave me vendbanim të përhershëm tek ai i të huajve pa i pasur njoftuar të interesuarit për kurrfarë vendimi apo informacioni. Një nismë e tillë nuk mbështetej në asnjë bazë juridike. Ligji për Regjistrin e popullsisë dhe të personave me vendbanim, i përmendur nga Qeveria në vërejtjet e saj, nuk përmban asnjë dispozitë për fshirjen e personave me vendbanim të përhershëm nga Regjistri mbi bazën e këtij ligji.
Ligji nuk i jep kompetencë Qeverisë as për të përcaktuar me vendime individuale modalitetet e vënies në jetë të dispozitave legjislative. Neni 120 i Kushtetutës saktëson se detyrat dhe funksionet e lidhura me administratën publike duhet të kryhen me pavarësi të plotë në kuadër dhe në respektim të Kushtetutës e të ligjit. Në rast se Qeveria çmonte se Ligji për të huajt nuk zbatohej dot në praktikë ndaj shtetasve të republikave të tjera, ajo do të ishte dashur t’i kërkonte ligjvënësit që ta rregullonte statusin e tyre juridik në vend që të përzihej në kompetencat e këtij të fundit duke miratuar vendime.
15. Për këto arsye, Ligji për të huajt, dispozitat kalimtare të të cilit nuk e përcaktojnë statusin juridik të shtetasve të republikave të tjera që ishin persona me vendbanim të përhershëm në Slloveni dhe ishin vërtet me vendbanim në këtë vend, përbën shkelje të parimit të shtetit ligjor që parashikohet në nenin 2 të Kushtetutës. Për këtë arsye, shtetasit e republikave të tjera janë gjendur, në përfundim të afatit të parashikuar në nenin 81, pika e dytë, në një situatë pasigurie juridike. Ata nuk mund ta përcaktonin duke u nisur nga dispozitat kalimtare – të cilat tregonin se zbatohej Ligji për të huajt – se cili do të ishte statusi i tyre juridik si shtetas të një republike tjetër, as se cilat dispozita legjislative do të ishin të zbatueshme për ta. Prandaj, Gjykata Kushtetuese nxjerr përfundimin se mungesa e rregullimit me ligj në Republikën e Sllovenisë të statusit juridik të veçantë të shtetasve të republikave të tjera e ka shkelur parimin e sigurisë juridike, i cili përbën një nga parimet e shtetit ligjor.
16. Parimi i sigurisë juridike e garanton individin se shteti nuk do ta rëndojë situatën e tij juridike pa arsye të ligjshme. Mirëpo shtetasit e republikave të tjera që nuk kishin zgjedhur shtetësinë sllovene mund të prisnin me të drejtë që nuk do të barazoheshin me të huaj të sapoardhur në Slloveni dhe që nuk do t’u hiqej statusi i personit me vendbanim të përhershëm , sidomos edhe pa u njoftuar fare. (...). »
b) Vendimi i 3 prillit 2003 (çështja U-I-246/02)
215. Pjesët përkatëse të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese (paragrafët 58-60 të mësipërm) shprehen kështu:
“Gjatë seancës së saj të 3 prillit 2003 kushtuar shqyrtimit të ankesave për papajtueshmëri me Kushtetutën të paraqitur nga Shoqata e Personave të Fshirë të Sllovenisë (PTUJ) me të tjerë, të përfaqësuar nga M. K. (...) dhe N. M. P. (...), Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin e mëposhtëm:
1. Ligji që rregullon statusin juridik të shtetasve të shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së të cilët janë me vendbanim në Slloveni (Gazeta Zyrtare e RS-së, nr. 61/99 dhe 64/01) është i papajtueshëm me Kushtetutën për arsyen se nuk ua njeh shtetasve të republikave të tjera të ish-RSFJ-së, emri i të cilëve është fshirë nga Regjistri i personave me vendbanim të përhershëm më 26 shkurt 1992, cilësinë e personit me vendbanim të përhershëm duke filluar nga ajo datë.
2. Ligji që rregullon statusin juridik të shtetasve të shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së të cilët janë me vendbanim në Republikën e Sllovenisë është i papajtueshëm me Kushtetutën për arsyen se nuk përcakton rregulla për marrjen e një lejeje qëndrimi të përhershëm nga shtetasit e republikave të tjera të ish-RSFJ-së, të përmendur në paragrafin pararendës, dëbimi forcërisht i të cilëve është urdhëruar në bazë të nenit 28 të Ligjit për të huajt (Gazeta Zyrtare e RS-së, nr. 1/91-1 dhe 44/97).
3. Neni 1 i Ligjit që rregullon statusin juridik të shtetasve të shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së të cilët janë me vendbanim në Republikën e Sllovenisë është i papajtueshëm me Kushtetutën për arsyet e parashtruara në brendësi të këtij vendimi.
4. Pika e parë dhe e dytë e nenit 2 të Ligjit që rregullon statusin juridik të shtetasve të shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së të cilët janë me vendbanim në Republikën e Sllovenisë shfuqizohen në dispozitat e tyre që e caktojnë në tre muaj afatin e dorëzimit të një kërkese për leje qëndrimi të përhershëm.
(...)
7. Ligjvënësi ka detyrimin t’i ndreqë papajtueshmëritë me Kushtetutën të vëna re në pikat 1, 2 dhe 3 të vendimit përfundimtar brenda një afati prej gjashtë muajsh nga dita e botimit të këtij vendimi në Gazetën Zyrtare të Republikës së Sllovenisë.
8. Statusi si person me vendbanim të përhershëm i shtetasve të republikave të tjera të ish-RSFJ-së vendoset kështu duke filluar nga 26 shkurti 1992, nëse emri i tyre është fshirë në atë datë nga Regjistri i personave me vendbanim të përhershëm, përmes dhënies së një lejeje qëndrimi të përhershëm në bazë të Ligjit që rregullon statusin juridik të shtetasve të shteteve të tjera pasardhëse të ish-RSFJ-së të cilët janë me vendbanim në Republikën e Sllovenisë (Gazeta Zyrtare e RS-së, nr. 1/91-1 dhe 44/97) ose të Ligjit për të huajt (Gazeta Zyrtare e RS-së, nr. 61/99). Ministria e Brendshme duhet që, në kuadrin e detyrimeve të saj zyrtare, t’u lëshojë të interesuarve vendime plotësuese për vendosjen e vendbanimit të tyre të përhershëm në Republikën e Sllovenisë duke filluar nga 26 shkurti 1992.
Arsyet
(...)
15. Ligji i kundërshtuar është i papajtueshëm me Kushtetutën për arsyen se nuk u lejon shtetasve te republikave të tjera të marrin statusin e personit me vendbanim të përhershëm që nga dita kur ai ka pushuar formalisht t’u njihet atyre [domethënë duke filluar nga data kur u është hequr] dhe nuk e korrigjon veçse pjesërisht papajtueshmërinë e konstatuar me Kushtetutën. Parimi i sigurisë juridike, një nga parimet e shtetit ligjor të sanksionuar nga neni 2 i Kushtetutës, kërkon që të mos ketë asnjë ndërprerje vazhdimësie në mënyrën se si rregullohet situata e këtyre personave, për çfarëdo periudhe që të bëhet fjalë. Statusi i personit me vendbanim të përhershëm është me rëndësishëm për të gëzuar disa të drejta e avantazhe juridike, të cilat personat e prekur nuk kanë mundur t’i kërkojnë për arsye të mungesës së përcaktimit të rregullave për statusin e tyre. Situata e këtyre personave në Republikën e Sllovenisë është juridikisht e pasigurt për shkak të mungesës së rregullave, duke qenë se marrja e statusit të të huajit i ka bërë te humbasin statusin e tyre si persona me vendbanim të përhershëm në territorin e Republikës së Sllovenisë dhe se ata janë ndodhur në një situatë të parregulluar me ligj dhe e kane parë situatën e tyre juridike të përkeqësohet (ngaqë nuk e kishin më statusin e personit me vendbanim të përhershëm, për shembull), një situatë pasojat negative të së cilës kanë vazhduar deri në dhjetë vjet për disa persona. Nga rekomandimet e bëra prej Kuvendit Kombëtar pas shqyrtimit të Raportit të 7të vjetor të ombudsmanit për të drejtat e njeriut për vitin 2001 (Gazeta Zyrtare e RS-së, nr. 2/03), del se çështja e situatës juridike të këtyre shtetasve të republikave të tjera vazhdon të kërkojë një rregullim juridik.
(...)
22. Meqenëse statusi i tyre si person me vendbanim të përhershëm nuk është njohur që nga dita kur, pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Sllovenisë, statusi i tyre juridik u kthye në atë [të ndryshëm] të shtetasit të një shteti tjetër pasardhës të ish-RSFJ-së, shtetasit e republikave të tjera nuk kanë qenë më në gjendje të kërkojnë disa të drejta të cilat do të kishin mundur t’i pretendonin si shtetas të njërës apo tjetrës nga republikat e ish-RSFJ-së me vendbanim të përhershëm në Republikën e Sllovenisë. Kërkuesit nuk i kanë përcaktuar shprehimisht këto të drejta; megjithatë, nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese del se bëhet fjalë më në veçanti për të drejtën për pagesën e parakohshme të një pensioni ushtarak, për të drejtën për shërbime të sigurimeve shoqërore dhe për mundësinë për të ripërtëritur lejen e drejtimit për automjet (...).”
(...)
LIGJI
I. ÇËSHTJE PARAPRAKE
(...)
C. Kërkesa e Qeverisë për prapësim lidhur me cilësinë e viktimës
243. Qeveria mbron mendimin se gjashtë paditësit (Z. Kurić, Znja Mezga, Z. Ristanović, Z. Berisha, Z. Ademi dhe Z. Minić) që kanë marrë leje qëndrimi të përhershëm ex nunc dhe ex tunc pas shpalljes së vendimit të Dhomës më 2010 (paragrafët 95, 123, 133, 158, 173 dhe 194 të mësipërm) nuk mund të pretendojnë më se janë “viktima”, në kuptimin e nenit 34 të Konventës, të fakteve të denoncuara.
244. Paditësit e kundërshtojnë këtë tezë si të pavërtetë.
1. Tezat e palëve
a) Qeveria
245. Qeveria e pranon se është e pamohueshme që “fshirja” ishte e paligjshme dhe se ajo ka krijuar një situatë jo kushtetuese. Republika e Sllovenisë e paska pranuar këtë gjë në mënyrë po aq simbolike sa edhe juridike. Më 15 qershor 2010, kryetari i Kuvendit Kombëtar u paska kërkuar publikisht ndjesë “personave të fshirë” dhe, më 22 qershor 2010, ministri i Brendshëm paska vepruar njëlloj (paragrafi 75 i mësipërm). Në rrafshin juridik, që nga viti 1999, Gjykata Kushtetuese e paska gjykuar në disa raste “fshirjen” si jo kushtetuese (paragrafët 41-48, 52-56, 58-60 dhe 214-215 të mësipërm). Paditësit pretenduakan pra pa të drejtë që Republika e Sllovenisë vazhdon ta mohojë paligjshmërinë e “fshirjes”. Autoritete paskan marrë masa të rëndësishme për t’iu përmbajtur plotësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për ta ndrequr këtë paligjshmëri si edhe papajtueshmërinë e “fshirjes” me Kushtetutën.
246. Qeveria vë në dukje se Ligji i ndryshuar për statusin juridik, i miratuar më 8 mars 2010 dhe i hyrë në fuqi më 24 korrik 2010 (paragrafët 71, 76-79 dhe 211 të mësipërm), i ka zhdukur nga legjislacioni i brendshëm ato papajtueshmëri me Kushtetutën që kishin mbetur, duke u ofruar paditësve që nuk e kishin ndrequr ende situatë e tyre juridike mundësinë për të kërkuar leje qëndrimi njëherazi ex nunc dhe ex tunc. Me këtë zgjidhje të posaçme, ligjvënësi paska dhënë një shpërblim moral, i cili u dashka parë si një trajtë e veçantë zhdëmtimi për pasojat e shkeljeve të ardhura si rezultat i “fshirjes”.
247. Për sa u përket gjashtë paditësve (Z. Kurić, Znja Mezga, Z. Ristanović, Z. Berisha, Z. Ademi dhe Z. Minić) që kanë marrë leje qëndrimi të përhershëm ex nunc dhe ex tunc pas shpalljes së vendimit të Dhomës, statusi i tyre qenka i barasvlershëm me atë të Zve Petreš dhe Jovanović, për të cilët Dhoma paska thënë se nuk e kishin më cilësinë e “viktimës”. Pra, qenka e udhës që kërkesa të deklarohet e papranueshme për sa u takon këtyre gjashtë paditësve.
248. Po ashtu qenka puna edhe me dy paditësit e tjerë (Z. Dabetić dhe Znjën Ristanović), të cilët nuk paskan nisur kurrë ndonjë procedurë në Slloveni për të kërkuar leje qëndrimi të përhershëm.
249. Në kundërshtim me thëniet e paditësve, një leje qëndrimi të përhershëm sigurisht që nuk qenka vetëm “një letër pa vlerë”. Ajo i çelka zotëruesit të saj portën për njëzet e shtatë të drejta të ndryshme në fushat e mbrojtjes sociale – sidomos disa të drejta për pension –, të arsimit, të shëndetësisë dhe të tregut të punës. Personat me vendbanim të përhershëm u vendoskan në barazi të plotë me qytetarët sllovenë për sa u takon këtyre të drejtave. Nuk përfituakan të njëjtat të drejta politike, por mund të votuakan në zgjedhjet vendore.
250. Për sa u përket kërkesave për zhdëmtim, neni 26 i Kushtetutës (paragrafi 203 i mësipërm) e garantuaka të drejtën për zhdëmtim të dëmeve të shkaktuara nga një autoritet civil. Paditësit dhe “persona të fshirë” të tjerë e paskan mundësinë për të nisur një veprim civil për të kërkuar një zhdëmtim për dëm material e moral mbi bazën e Kodit të Detyrimeve të vitit 2001 dhe paskan mundësi që në fund të bëjnë kërkesë për kontroll kushtetutshmërie. Në paragrafin 43 të vendimit të saj të 10 qershorit 2010, Gjykata Kushtetuese paska deklaruar: “shpallja e vendimeve mbi bazën e Ligjit për statusin juridik dhe të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik nuk nënkupton në vetvete një lloj të ri përgjegjësie penale për shtetin apo një bazë të re juridike që mundëson parashtrimin e kërkesave për zhdëmtim” (paragrafi 74 i mësipërm). E mundshme qenka gjithashtu që të kërkohet zhdëmtim mbi bazën e nenit 14 të Ligjit për Prokurorinë e Përgjithshme (paragrafi 213 i mësipërm).
251. Pas seancës, Qeveria i është referuar vendimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 5 korrik 2011 në një prej çështjeve të nisura nga “personat e fshirë”, nga ku dalka se juridiksioni i lartë nuk është shprehur ende rreth çështjes së përgjegjësisë të shtetit për dëmet e shkaktuara prej “fshirjes” (paragrafi 82 i mësipërm). Përveç kësaj, më 26 shtator 2011, Gjykata Kushtetuese nuk e paska mbajtur për shqyrtim një kërkesë për kontroll kushtetutshmërie të paraqitur nga një prej “personave të fshirë” (paragrafi 83 i mësipërm).
252. Qeveria kërkon të vërehet se asnjë nga paditësit nuk ka kërkuar zhdëmtim përpara juridiksioneve të brendshme. Vetëm Z. Berisha dhe Z. Minić i qenkan drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me një kërkesë për zhdëmtim, e cila qenka rrëzuar. Z. Berisha nuk paska nisur procedurë gjyqësore (paragrafi 160 i mësipërm).
b) Paditësit
253. Gjashtë paditësit të cilëve u janë dhënë leje qëndrimi të përhershëm ex nunc dhe ex tunc gjatë procedurës përpara Dhomës së Madhe vazhdojnë ta quajnë veten “viktima” të shkeljeve të të drejtave të njeriut të shkaktuara nga “fshirja”, duke vlerësuar se këto të fundit nuk janë zhdëmtuar në mënyrë të përshtatshme.
254. Sipas tyre, sado që nga një jurisprudencë e vjetër si edhe nga disa vendime më të vona del se një paditës mund të pushojë së qeni “viktimë” nëse bëhet një ndreqje gjatë procedurës (shih, ndër të tjera, Maaouia k. Francës (vend. pran.), nr. 39652/98, GjEDNj 1999‑II; Pančenko k. Letonisë (vend. pran.), nr. 40772/98, 28 tetor 1999, dhe Mikheyeva k. Letonisë (vend. pran.), nr. 50029/99, 12 shtator 2002), jurisprudenca e tanishme lidhur me nenin 8 të Konventës tregon qartazi se pranimi i një shkeljeje nuk është i mjaftueshëm në këtë drejtim; u kërkuaka gjithashtu një ndreqje “e përshtatshme”, veçanërisht zhdëmtimi i dëmit të pësuar nga paditësit gjatë një kohe të konsiderueshme (Aristimuño Mendizabal, i cituar më lart, § 79; Mengesha Kimfe k. Zvicrës, nr. 24404/05, §§ 41-49, 29 korrik 2010, dhe Agraw k. Zvicrës, nr. 3295/06, §§ 27-34, 29 korrik 2010). Gjykata paska bërë gjithashtu një dallim midis çështjeve lidhur me dëbimin e jo shtetasve të vendit dhe atyre që kanë të bëjnë me mosndreqjen e zgjatur të statusit juridik të paditësit. Në kategorinë e parë të çështjeve, një paditës nuk mund të pretendojë më se është “viktimë” në rast se masa e dëbimit nuk ka qenë ekzekutive apo nëse atij i është dhënë një leje qëndrimi (paditësit përmendin vendimet Syssoyeva me të tjerë, i cituar më lart, § 100, dhe Kaftaïlova, i cituar më lart, §§ 52‑54). Ndërsa në kategorinë e dytë (Aristimuño Mendizabal, Mengesha Kimfe, dhe Agraw, vendime të cituara më lart), Gjykata paska deklaruar qartë se lëshimi i një lejeje qëndrimi nuk ishte i mjaftueshëm, sidomos për arsye të kohës së kërkuar për dhënien e tyre. Çështja në fjalë u afruaka më fort me çështjet e kategorisë së dytë.
255. Dhënia e një lejeje qëndrimi gjashtë paditësve, që qenka një masë për të shmangur ndjekjen e shkeljes, nuk mund të paraqitet si pranim nga ana e autoriteteve sllovene – të paktën në thelb – i shkeljes së denoncuar. Autoritetet vazhduakan ta mohojnë paligjshmërinë e masave të marra prej tyre. Në çështjen në fjalë, në kundërshtim me çështjet letone, paditësve u qenka hequr statusi i personit me vendbanim të përhershëm në shkelje të hapur të së drejtës së brendshme. Së fundi, karakteri prapaveprues i lejeve të qëndrimit të përhershëm mbetka vetëm deklarativ meqenëse të interesuarit nuk mundkan të marrin një zhdëmtim të përshtatshëm në bazë të së drejtës së brendshme. Prandaj lejet nuk qenkan veçse “copa të thjeshta letre”.
256. Për sa u takon Z. Dabetić dhe Znjës Ristanović, paditësit çmojnë se shteti u dashka ta ndreqë statusin e tyre juridik me nismën e vet, duke u lëshuar atyre një leje qëndrimi të përhershëm me efekt prapaveprues, në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
257. Së fundi, Ligji i ndryshuar për statusin juridik nuk përmbajtka asnjë dispozitë të posaçme për sa i përket çështjes së zhdëmtimit për dëm material dhe moral. Përveç kësaj, qenka pothuajse e pamundur të kërkohet zhdëmtim përpara juridiksioneve të brendshme mbi bazën e dispozitave të zakonshme që përcaktojnë përgjegjësinë penale. Sipas statistikave të fundit, të nxjerra në maj 2011, Ministria paska trajtuar 157 kërkesa për zhdëmtim. Juridiksionet e brendshme paskan rrëzuar dyzet e një të tilla me vendime të formës së prerë. Vetëm pesëmbëdhjetë vendime rrëzimi qenkan kundërshtuar përpara Gjykatës së Lartë dhe pesë prej tyre qenkan mënjanuar. Nga ana tjetër, tetë “persona të fshirë” u qenkan drejtuar drejtpërdrejt gjykatave. Askush nuk e paska fituar gjyqin (paragrafi 83 i mësipërm). Kërkesat qenkan rrëzuar kryesisht përmes zbatimit të rregullave të parashkrimit të Kodit të Detyrimeve: tre vjet nga marrja dijeni për dëmin dhe pesë vjet nga koha kur është bërë dëmi. Juridiksionet e brendshme paskan qenë deri tani të mendimit se kjo datë e fundit ishte 12 marsi 1999, datë e botimit në Gazetën Zyrtare të vendimit të parë udhëzues të Gjykatës Kushtetuese.
2. Vendimi i Dhomës
258. Dhoma nuk e ka pasur rastin të shprehet rreth kësaj kërkese për prapësim, e cila ka të bëjë me fakte të ndodhura pas shpalljes së vendimit të saj (paragrafi 243 i mësipërm).
3. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
259. Gjykata rikujton se i takon në radhë të parë autoriteteve kombëtare që ta ndreqin një shkelje të pretenduar të Kushtetutës. Lidhur me këtë, çështja nëse një paditës mund të pretendojë se është “viktimë” e shkeljes së pretenduar shtrohet në të gjitha stadet e procedurës në vështrim të Kushtetutës (shih, ndër të tjera, Bourdov k. Rusisë, nr. 59498/00, § 30, GjEDNj 2002‑III). Një vendim apo një masë në favor të paditësit nuk mjafton në parim për t’ia hequr atij cilësinë e “viktimës” sipas nenit 34 të Konventës, veç në qoftë se autoritetet kombëtare e pranojnë, shprehimisht ose në thelb, e pastaj e zhdëmtojnë shkeljen e Konventës (shih, për shembull, Eckle k. Gjermanisë, 15 korrik 1982, §§ 69 e vijues, seria A nr. 51; Dalban k. Rumanisë [DhM], nr. 28114/95, § 44, GjEDNj 1999‑VI; Scordino k. Italisë (nr. 1) [DhM], nr. 36813/97, §§ 179-180, GjEDNj 2006‑V, dhe Gäfgen k. Gjermanisë [DhM], nr. 22978/05, § 115, GjEDNj 2010).
260. Për sa i përket zhdëmtimit “të përshtatshëm” e “të mjaftueshëm” për ta ndrequr në nivelin e brendshëm shkeljen e një të drejte të garantuar nga Konventa, Gjykata është përgjithësisht e mendimit se ai varet nga tërësia e rrethanave të çështjes, duke pasur parasysh veçanërisht natyrën e shkeljes së Konventës për të cilën bëhet fjalë (shih, për shembull, Gäfgen, i cituar më lart, § 116).
261. Në rastet e dëbimit ose të ekstradimit të jo-shtetasve të vendit, Gjykata ka thënë në një numër çështjesh ku ngriheshin pikëpyetje në këndvështrimin e nenit 8 të Konventës se rregullimi i qëndrimit të paditësit ose fakti që i interesuari nuk kërcënohej më të dënohej apo të ekstradohej – edhe nëse çështja mbetej e papërfunduar përpara Gjykatës - ishte parimisht “i mjaftueshëm” për të ndrequr një ankesë të bërë sipas nenit 8 (Pančenko, vendim i cituar më lart; Yang Chun Jin i quajtur ndryshe Yang Xiaolin k. Hungarisë (heqje nga regjistri i çështjeve), nr. 58073/00, §§ 20-23, 8 mars 2001; Mikheyeva, vendim i cituar më lart; Fjodorova me të tjerë k. Letonisë (vend. pran.), nr. 69405/01, 6 prill 2006; Syssoyeva me të tjerë, i cituar më lart, §§ 102-104; Chevanova, i cituar më lart, §§ 48-50, dhe Kaftaïlova, i cituar më lart, §§ 52-54).
262. Përveç kësaj, Gjykata e ka pasur tashmë rastin të vërë në dukje lidhur me nene të tjera të Konventës se cilësia e “viktimës” e një paditësi mund të varet gjithashtu nga shuma e zhdëmtimit që, nëse është rasti, i është dhënë atij në nivelin kombëtar, ose të paktën nga mundësia për të kërkuar e për të marrë zhdëmtim për dëmin e pësuar, duke pasur parasysh situatën për të cilën ai ankohet përpara Gjykatës (shih, për shembull, Gäfgen, i cituar më lart, § 118, lidhur me një ankesë që i referohej nenit 3; Normann k. Danimarkës (vend. pran.), nr. 44704/98, 14 qershor 2001, dhe Scordino (nr. 1), i cituar më lart, § 202, lidhur me një ankesë që i referohej nenit 6 ; Jensen e Rasmussen k. Danimarkës (vend. pran.), nr. 52620/99, 20 mars 2003, lidhur me një ankesë që i referohej nenit 11). Ky konstatim gjen zbatim, mutatis mutandis, për ankesat për shkelje të nenit 8.
263. Në rastin e çështjes në fjalë, Dhoma e Madhe rikujton se ajo nuk ka kompetencë për të shqyrtuar ankesat e Zve Petreš dhe Jovanović, të cilat janë shpallur të papranueshme nga Dhoma pasi të interesuarve u janë dhënë leje qëndrimit ex tunc (...).
264. Por nga ana tjetër, nuk ka asnjë pengesë procedurale të këtij tipi lidhur me Z. Kurić, Znjën Mezga, Z. Ristanović, Z. Berisha, Z. Ademi dhe Z. Minić. Dhoma e Madhe është pra kompetente për të parë nëse, pavarësisht nga dhënia e lejeve të qëndrimit ex nunc dhe ex tunc për këta gjashtë paditës, ata mund të vazhdojnë të pretendojnë se janë viktima të shkeljeve të përmendura. Ka pra mundësi që ky shqyrtim, pavarësisht nga ngjashmëria e fakteve për të cilat bëhet fjalë, të dalë në përfundime të ndryshme nga ato ku ka mbërritur Dhoma për Z. Petreš dh Z. Jovanović. Një situatë e tillë është pasojë e pashmangshme e kufizimit të kompetencës së Dhomës së Madhe (...).
265. Dhoma e Madhe çmon se kushti i parë që të mund të nxirret si përfundim se është humbur cilësia e viktimës, konkretisht pranimi i një shkeljeje prej autoriteteve kombëtare, është plotësuar. Në fakt, shërbimet administrative u kanë dhënë leje qëndrimi të përhershëm gjashtë paditësve në vijim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që e shpallin legjislacionin në fuqi si jo kushtetues dhe pas miratimit të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik. Për më tepër, në qershor 2010, Qeveria dhe Parlamenti e kanë pranuar zyrtarisht shkeljen e të drejtave të paditësve. Konstatimi i një shkeljeje është formuluar pra në thelb nga ana e autoriteteve kombëtare (shih, mutatis mutandis, Scordino (nr. 1), i cituar më lart, § 194).
266. Dhoma e Madhe vë re përveç kësaj se, në disa çështje të tjera lidhur me rregullimin e statusit të të huajve, sidomos në çështje që kanë të bëjnë me një situatë të ngjashme shpërbërjeje të një shteti paraardhës, Gjykata ose ka çmuar se, me të marrë një leje, paditësit nuk ishin më viktima të shkeljeve të pretenduara të Konventës dhe i ka shpallur kërkesat e të interesuarve si të papranueshme, ose ka qenë e mendimit se modalitetet e rregullimit që u ofroheshin paditësve kishin përbërë një ndreqje “të përshtatshme” e “të mjaftueshme” për ankesat e tyre në fushën e nenit 8 të Konventës dhe ka vendosur për rrjedhojë t’i heqë çështjet nga regjistri i saj. Në këto çështje, Gjykata ka pasur gjithashtu parasysh faktin se paditësit nuk ishin më të kërcënuar për dëbim (Pančenko, vendim i cituar më lart; Mikheyeva, vendim i cituar më lart; Fjodorova me të tjerë, vendim i cituar më lart; Syssoyeva me të tjerë, i cituar më lart, §§ 102‑104; Chevanova, i cituar më lart, §§ 48-50, dhe Kaftaïlova, i cituar më lart, § 54). Në disa raste, sidoqoftë, Gjykata ka vënë në dukje se paditësit ishin të paktën pjesërisht përgjegjës për vështirësitë lidhur me rregullimin e statusit të tyre (Chevanova, i cituar më lart, §§ 47 dhe 49; Kaftaïlova, i cituar më lart, § 50, dhe Syssoyeva me të tjerë, i cituar më lart, § 94).
267. Megjithatë, ndërkohë që këto çështje kishin të bënin me probleme specifike, Dhoma e Madhe çmon se rasti i çështjes në fjalë karakterizohet sidomos nga shqetësimi i përgjithshëm lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, që ka ngjallur “fshirja”. Për më tepër, situata e konfliktit ka vazhduar për afër njëzet vjet për shumicën e paditësve, pavarësisht vendimeve udhëzuese të dhëna nga Gjykata Kushtetuese, të cilat kanë mbetur madje të pazbatuara për më shumë se dhjetë vjet (Makuc me të tjerë, vendim i cituar më lart, § 168). Duke pasur parasysh këtë periudhë të gjatë pasigurie dhe paqartësie juridike që kanë përjetuar paditësit dhe seriozitetin e pasojave të “fshirjes” për ta, Dhoma e Madhe, në kundërshtim me Dhomën, çmon se pranimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe dhënia e lejeve të qëndrimit të përhershëm për Z. Kurić, Znjën Mezga, Z. Ristanović, Z. Berisha, Z. Ademi dhe Z. Minić nuk kanë përbërë një ndreqje “të përshtatshme” dhe “të mjaftueshme” në nivelin kombëtar (shih, mutatis mutandis, Aristimuño Mendizabal, i cituar më lart, §§ 67-69 dhe 70-72; Mengesha Kimfe, i cituar më lart, §§ 41-47 dhe 67-72, dhe Agraw, i cituar më lart, §§ 30-32 dhe 50-55).
268. Për sa i përket mundësisë për të kërkuar e për të marrë zhdëmtim në nivelin e brendshëm (paragrafët 250-252 dhe 257 të mësipërm), Gjykata vëren se asnjë nga “personat e fshirë” nuk është zhdëmtuar deri tani sipas një vendimi të formës së prerë dhe ekzekutiv, ndonëse disa procedura janë aktualisht të papërfunduara (paragrafi 83 i mësipërm). Përveç kësaj, asnjë nga kërkesat për zhdëmtim me të cilat paditësit i janë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme nuk ka dhënë rezultat deri tani. Për këtë arsye, shanset e të interesuarve për t’u zhdëmtuar në Slloveni duken, hë për hë, tepër të dobëta për të qenë rëndësore në kuadrin e kësaj çështjeje (shih, mutatis mutandis, Dalban, i cituar më lart, § 44).
269. Si përfundim, Gjykata ka mendimin se të gjashtë paditësit që kanë marrë leje qëndrimi të përhershëm ex nunc dhe ex tunc gjatë procedurës përpara Dhomës së Madhe mund të vazhdojnë të pretendojnë se janë “viktima” të shkeljeve të përmendura. Për pasojë, është e udhës të rrëzohet kërkesa për prapësim paraprak e Qeverisë rreth kësaj pike.
270. Së fundi, për sa i përket kërkesës së qeverisë për prapësim lidhur me cilësimin si “viktimë” të paditësve të mbetur – Z. Dabetić dhe Znjës Ristanović – të cilët nuk kanë nisur kurrë procedurë në formën e duhur në Slloveni për të marrë leje qëndrimi të përhershëm, Gjykata çmon se nuk është e udhës për ta shqyrtuar përderisa ankesat e këtyre paditësve janë sidoqoftë të papranueshme për mosshterim të mjeteve të brendshme ligjore (...).
(...)
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 8 TË KONVENTËS
314. Paditësit ankohen se u është hequr arbitrarisht mundësia për ta ruajtur statusin e tyre si person me vendbanim të përhershëm në Slloveni. Ata i referohen nenit 8 të Konventës, të formuluar kështu:
« 1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
A. Tezat e palëve
1. Paditësit
315. Paditësit pretendojnë se nuk kanë qenë në gjendje të paraqesin një kërkesë zyrtare për marrjen e shtetësisë brenda afatit të shkurtër të caktuar nga ligji i brendshëm. Për rrjedhojë, më 26 shkurt 1992, emrat e tyre qenkan fshirë në mënyrë të paligjshme nga Regjistri. Z. Kurić, Z. Dabetić dhe, në zanafillë, Z. Ademi nuk paskan mundur për më tepër të marrin shtetësinë e një shteti tjetër pasardhës të RSFJ-së dhe qenkan kthyer de facto në persona pa shtetësi. Pas kësaj, deri në hyrjen në fuqi më 2010 të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik, paditësit qenkan gjendur në pamundësinë për të kërkuar e për të marrë një leje qëndrimi të përhershëm në Slloveni.
316. Përpara Dhomës, të interesuarit kanë mbrojtur mendimin se dispozitat e Ligjit për të huajt nuk ishin as të arritshme, as të parashikueshme për sa u përket efekteve të tyre. Lidhur me arritshmërinë, autoritetet nuk u paskan dhënë informata të kënaqshme e të hollësishme të tërë personave të prekur. Për sa i takon parashikueshmërisë, Ligji për të huajt nuk paska qenë shprehimisht i zbatueshëm ndaj “personave të fshirë”, meqenëse ai paska qenë konceptuar për të rregulluar statusin e të huajve në situatë të parregullt. Përveç kësaj, sjellja e përgjithshme e autoriteteve sllovene paska qenë arbitrare. Ndërhyrja që është bërë objekt i kësaj mosmarrëveshjeje nuk paska qenë në përpjesëtim me qëllimin që gjoja është ndjekur, konkretisht me kontrollin e hyrjes dhe të qëndrimit të të huajve, përderisa të interesuarit e paskan pasur vendbanimin e tyre të përhershëm në Slloveni në momentin e shpalljes së pavarësisë së këtij vendi.
317. Paditësit pajtohen për sa i përket thelbit me përfundimet e nxjerra nga Dhoma dhe ngulin këmbë që plogështia e Qeverisë të denoncohet më me forcë. Ata pretendojnë se nuk janë informuar si duhet për pasojat që do të kishte për ta fakti që të mos kërkonin e të merrnin shtetësinë sllovene; ata çmojnë se disa njoftime publike dhe disa artikuj shtypi nuk ishin të mjaftueshëm. “Fshirja” qenka bërë arbitrarisht, pa asnjë bazë ligjore dhe fshehurazi, e ajo paska prekur 25 671 vetë.
318. Sipas paditësve, “personat e fshirë” kanë filluar ta zbulojnë se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë vetëm më 1999, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në vitet që kanë pasuar, Qeveria dhe Parlamenti i paskan injoruar sistematikisht dhe me dashje vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Legjislacioni i ri kuadër – Ligji i ndryshuar për statusin juridik – qenka miratuar njëmbëdhjetë vjet pas vendimit të parë udhëzues që e kishte quajtur të paligjshme “fshirjen” dhe shtatë vjet pas vendimit të dytë udhëzues. Duke e kundërshtuar tezën e Qeverisë, paditësit mbrojnë mendimin se autoritetet sllovene nuk e kanë ndryshuar në të vërtetë politikën e tyre që prej miratimit të këtij ligji.
319. “Personave të fshirë” u qenka mbyllur rruga jo vetëm për marrjen e shtetësisë sllovene, por edhe për çdolloj statusi juridik që jep “të drejtën për të gëzuar të drejta”. Paditësit shohin aty një cenim të rëndë të dinjitetit njerëzor. “Fshirja” paska qenë me pasoja të pandreqshme në jetën e tyre private dhe/ose familjare, respektimi i të cilës qenka i garantuar nga neni 8 i Konventës, që mbrojtka gjithashtu edhe të drejtën e secilit për t’i vendosur hollësitë e identitetit të vet si qenie njerëzore (paditësit citojnë, sidomos, Christine Goodwin k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 28957/95, § 90, GjEDNj 2002‑VI, dhe Mikulić k. Kroacisë, nr. 53176/99, § 53, GjEDNj 2002‑I). Nga qytetarë që i gëzonin plotësisht të drejtat e tyre, paditësit qenkan kthyer brenda ditës në të huaj në situatë të paligjshme. Disa prej tyre qenkan kthyer edhe në persona pa shtetësi. Ata jetuakan që prej njëzet vjetësh në një situatë të brishtë dhe haskan pengesa serioze në gëzimin e plotë të të drejtave të tyre themelore. Historia personale e paditësve qenka një ilustrim i vështirësive me të cilat u ndeshkan “personat e fshirë”.
320. Qeveria vazhduaka ta minimizojë paligjshmërinë dhe karakterin arbitrar të “fshirjes”. Dobësia e argumentit të saj se prania e “personave të fshirë” tolerohet u vënka në dukje nga fakti se një numër i madh i këtyre personave, ndër të cilët pesë prej paditësve të çështjes në fjalë, janë dëbuar forcërisht nga Sllovenia.
321. Qeveria paska zvogëluar gjithashtu edhe rëndësinë e pasojave që rrjedhin nga vendimet e dhëna prej Gjykatës Kushtetuese më 1999 dhe më 2003. Kuadri ligjor i mëparshëm dhe/ose vënia e tij në jetë nga autoritetet administrative kompetente paskan qenë qartazi të papërshtatshëm. Shumica e paditësve e paskan marrë lejen e tyre të qëndrimit të përhershëm shumë vonë, në bazë të Ligjit të ndryshuar të statusit juridik. Me gjithë këtë, situata e tyre nuk qenka ndrequr ende, përderisa ata vazhduakan të mos marrin zhdëmtim financiar.
322. Për sa i përket Ligjit të ndryshuar të statusit juridik, deri tani mbi bazën e tij qenkan dhënë vetëm tridhjetë leje. Sipas shifrave zyrtare, rreth 13 000 “persona të fshirë” vazhduakan pra të presin që t’u ndreqet situata. Për pasojë, vendimi i Gjykatës do të shpaloste dukshëm efekte shumë përtej situatës së veçantë të secilit paditës, meqenëse ai do të kishte të bënte me të gjithë kategorinë e “personave të fshirë”.
323. Sa për faktin që Qeveria i kritikon përfundimet rreth pashtetësisë që ka formuluar Dhoma, paditësit vënë në dukje se kjo e fundit gjithsesi nuk ka thënë se ka qenë “fshirja” si e tillë ajo që ka sjellë pashtetësinë apo se shkeljet e të drejtave të njeriut vijnë si rrjedhim i pashtetësisë së tyre, por se ajo ka vënë re një fakt objektiv të pakundërshtueshëm. Sipas tyre, Dhoma ishte dashur të shkonte më tej në vlerësimin e saj për ndikimin e vërtetë të “fshirjes” mbi të drejtat që lidhen me shtetësinë dhe të merrte parasysh rregullat materiale dhe procedurale rëndësore të së drejtës ndërkombëtare lidhur me parandalimin e pashtetësisë. “Fshirja” paska krijuar një situatë faktike ku për paditësit paska qenë shumë më e vështirë, madje nganjëherë e pamundur, që ta rregullonin shtetësinë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi, qoftë në Slloveni, qoftë në republikat e tjera të ish-RSFJ-së.
324. Hamendësimi i Qeverisë, sipas të cilit të gjithë qytetarët e ish-RSFJ-së duhej normalisht ta ruanin shtetësinë e republikës që kishin deri atëherë, nuk qenka plotësisht i drejtë. Qenkan raportuar shumë raste të kundërta, si ai i Z. Dabetić (paragrafi 97 i mësipërm). Z. Ademi i qenka lëshuar së fundmi, në gusht 2010, një pasaportë e “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë” (paragrafi 172 i mësipërm). Qeveria nuk i paska marrë absolutisht fare parasysh situatat e moszotërimit të mëparshëm të shtetësisë së një republike. Këto situata paskan prekur sidomos personat e lindur në Slloveni nga prindër me shtetësinë e një republike tjetër apo me shtetësi të ndryshme nga ajo e një republike tjetër. Që nga viti 1968, praktika paska qenë që regjistrohej shtetësia në regjistrat e mbajtur në Slloveni, por faktikisht rrallë paska ndodhur që informacionet përkatëse t’i njoftoheshin republikës së prejardhjes, pavarësisht nga legjislacioni në fuqi. Në kohën e shpërbërjes së RSFJ-së, Qeveria paska qenë e detyruar që t’u jepte të gjithë personave që jetonin në Slloveni mundësinë për të zgjedhur midis marrjes së shtetësisë sllovene dhe dhënies së një lejeje qëndrimi.
2. Qeveria
325. Përpara Dhomës, Qeveria ka mbrojtur mendimin se ngjarjet e ndodhura më 1991 kishin sjellë lindjen historike të një shteti të ri dhe se kjo gjë kishte bërë të nevojshëm, nga njëra anë, krijimin e shpejtë të një trupi qytetarësh për mbajtjen e zgjedhjeve legjislative dhe, nga ana tjetër, rregullimin me ligj të statusit të të huajve, duke përfshirë edhe atë të shtetasve të republikave të tjera të ish-RSFJ-së që ishin me vendbanim të përhershëm në Slloveni. Krijimi i një shteti të ri paska kërkuar një vendimmarrje të shpejtë për arsye të një nevoje të ngutshme shoqërore. Në përputhje me Deklaratën e qëllimeve të mira dhe me ligjet për pavarësinë (paragrafët 21‑22 dhe 24-25 të mësipërm), Republika e Sllovenisë u paska lejuar shtetasve të republikave të tjera të ish-RSFJ-së që ishin me vendbanim të përhershëm në Slloveni që të merrnin shtetësinë sllovene përmes natyralizimit në kushte tejet të favorshme. Ata që nuk e shfrytëzuan këtë mundësi qenkan kthyer në të huaj dhe u qenka dashur ta ndreqin situatën e tyre. Në fushën e imigrimit, shteteve iu lejuaka jo vetëm të vendosin rregulla për qëndrimin ose qenien me vendbanim të të huajve, por edhe të marrin masa shkëshilluese si dëbimi. Kështu, Qeverisë i qenka dashur të miratonte legjislacionin përkatës, i cili paska qenë i arritshëm për paditësit dhe i parashikueshëm për sa u takon efekteve të tij, në mënyrë që të garantohej siguria publike. Ky legjislacion paska qenë i nevojshëm në një shoqëri demokratike dhe në përpjesëtim me qëllimet e ndjekura.
326. Përpara Dhomës së Madhe, Qeveria e pranon se “fshirja” ishte e paligjshme dhe se ajo ka krijuar një situatë jo kushtetuese. Gjatë viteve të fundit, ajo paska miratuar të gjitha masat e nevojshme për t’iu përputhur vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për t’i ndrequr pasojat e “fshirjes”: Ligji i ndryshuar për statusin juridik paska hyrë në fuqi më 24 korrik 2010 dhe, më 2009, pas ndryshimit të Qeverisë, Ministria e paska filluar përsëri lëshimin e lejeve të qëndrimit të përhershëm ex tunc. Përveç kësaj, “personave të fshirë” u qenkan dhënë informacione me mjete të ndryshme (për shembull, broshura, internet e numra telefoni falas). Vendimi i Dhomës nuk u paska dhënë peshë aq sa duhet këtyre nismave.
327. Qeveria mbron mendimin se më 1991 paditësit ishin informuar tashmë mjaftueshëm, nëpërmjet botimit në Gazetën Zyrtare dhe përmes shtypit, rreth mundësisë për ta ndrequr statusin e tyre dhe nevojës që të merrnin një leje qëndrimi të përhershëm ose të përkohshëm në bazë të dispozitave të përgjithshme të Ligjit për të huajt (neni 16) nëse dëshironin të vazhdonin të qëndronin në Slloveni. Nga viti 1992 deri më 1997, qenkan dhënë gjithsej 4 893 leje të këtilla dhe kushtet e kërkuara qenkan interpretuar në mënyrë të favorshme. Rreth 12 500 leje qëndrimi të përhershëm qenkan dhënë në bazë të Ligjit për statusin juridik dhe të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik (paragrafët 67, 76 dhe 80 të mësipërm).
328. Qeveria shton se neni 8 i Konventës nuk mund të interpretohet sikur garanton, si i tillë, të drejtën për ndonjë lloj të veçantë lejeje qëndrimi dhe se zgjedhja e mjeteve më të përshtatshme për të siguruar respektimin e të drejtave të sanksionuara nga Konventa u takon vetëm autoriteteve kombëtare (ajo citon Syssoyeva me të tjerë, i cituar më lart, § 91), por se Republika e Sllovenisë ka zgjedhur megjithatë t’u japë “personave të fshirë” leje qëndrimi të përhershëm me efekt prapaveprues, domethënë statusin juridik më të favorshëm që mund të përfitojnë të huajt. Kjo masë e kapërcyeka minimumin e kërkuar nga Konventa.
329. Qeveria kundërshton veçanërisht konstatimet e formuluara prej Dhomës në vendimin e saj lidhur me çështjen e pashtetësisë. Ajo thekson se “fshirja” ka pasur si rezultat të vetëm që i ka dhënë fund regjistrimit të vendbanimit të përhershëm dhe nuk ka pasur kurrfarë ndikimi mbi shtetësinë e personave në fjalë. Përfundimet e nxjerra nga Dhoma rreth kësaj pike qenkëshin pra juridikisht dhe faktikisht të pasakta.
330. Qeveria tërheq vëmendjen rreth nocionit të “dyshtetësisë”: në parim, të gjithë shtetasit e RSFJ-së kishin shtetësinë e njërës prej republikave që e përbënin atë. Sipas saj, duke qenë se sistemi i RSFJ-së nuk e lejonte pashtetësinë, shpërbërja e Federatës nuk duhej ta kishte krijuar atë.
3. Palët e treta
331. Organizata Open Society Justice Initiative deklaron se një proces përmes të cilit disa persona gjenden të ekspozuar ndaj rrezikut që t’u hiqet arbitrarisht shtetësia dhe të kthehen në persona pa shtetësi ka një ndikim të tillë mbi viktimat saqë e cenon të drejtën e mbrojtur nga neni 8 i Konventës. Ajo vë në dukje se, sipas të dhënave të HCR-së, në fund të vitit 2009 në Slloveni kishte 4 090 shtetas të ish-RSFJ-së emri i të cilëve qenkësh “fshirë” më 1992 e që qenkëshin kthyer në persona pa shtetësi. Sipas një studimi të Bashkimit Evropian, vetëm pesë persona pa shtetësi qenkan natyralizuar në Slloveni pas vitit 2002.
332. Sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore, ekzistuaka një detyrim pozitiv për ta shmangur pashtetësinë dhe për ta përmirësuar situatën e atyre që bëhen pa shtetësi, sidomos në rast pasardhjeje shtetesh. Personat pa shtetësi qenkan të mënjanuar dhe veçanërisht të cenueshëm. Open Society Justice Initiative mbështetet te dispozitat e Konventës Evropiane për Shtetësinë, e cila, për sa u përket rregullave për dhënien e shtetësisë, e vënka theksin veçanërisht te rëndësia e vendbanimit të zakonshëm, te nocioni i “lidhjes së vërtetë dhe efektive” dhe te detyrimi për shtetin që ta lehtësojë marrjen e shtetësisë nga personat pa shtetësi që janë zakonisht me vendbanim në territorin e tij, sidomos fëmijët.
333. Përveç kësaj, raporti shpjegues i Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin e Rasteve të Pashtetësisë në lidhje me Pasardhjen e Shteteve, të hyrë në fuqi më 1 gusht 2010, vënka në dukje se parandalimi i pashtetësisë është pjesë e së drejtës ndërkombëtare zakonore që përbën detyrim për Slloveninë, pavarësisht mosratifikimit të këtij instrumenti nga ky shtet.
334. Në kontekstin e shteteve pasardhëse të RSFJ-së qenkan shtruar çështje serioze pashtetësie. Grupi i “personave të fshirë” në Slloveni numëruaka ende njerëz të shumtë pa shtetësi. Fakti që shtetet pasardhëse të RSFJ-së zgjodhën ta japin shtetësinë mbi bazën e listës së emrave që figuronin në regjistrat e tyre të shtetësisë së republikës paska sjellë një numër pasojash, duke qenë se disa shtetas të ish-RSFJ-së nuk e paskan pasur shtetësinë e një republike apo se, për arsye të ndryshme (dëmtim i dokumenteve të tyre të identitetit dhe/ose i regjistrave në kontekstin e një konflikti të armatosur, pamundësi për të marrë vërtetimin e shtetësisë nga republika e vendlindjes, etj.), ata nuk paskan qenë në gjendje për të provuar se e kishin një shtetësi të tillë. HCR-ja paska ndërtuar programe të mëdha informimi dhe ndihme juridike për disa vite me radhë në pesë nga shtetet pasardhëse. Situata paska prekur në mënyrë të shpërpjesëtuar grupe të cenueshme, veçanërisht grupe pakicash nga republika të tjera dhe romët.
335. Përpjekjet e bëra nga shteti slloven për ta ndrequr statusin e “personave të fshirë” – përmes lëshimit me nismën e vet të lejeve të qëndrimit për të interesuarit dhe vënies në veprim të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik – qenkan një gjë e mirë. HCR-ja u druajtka sidoqoftë se, duke pasur parasysh kërkesat e rënda që janë vendosur, reformat nuk do t’ua lejojnë të gjithë personave të prekur nga “fshirja” që të marrin një leje qëndrimi të përhershëm dhe shtetësinë. Palët e treta të tjera pajtohen në thelb me vërejtjet e Open Society Justice Initiative.
B. Vendimi i Dhomës
336. Dhoma ka vënë në dukje se, para vitit 1991, paditësit kishin qenë me vendbanim në territorin slloven në mënyrë të ligjshme dhe të përhershme për vite me radhë, madje shumica e tyre për disa dhjetëvjeçarë, në bazë të legjislacionit të RSFJ-së që ishte i zbatueshëm në atë kohë, dhe se ata kishin një status personi me vendbanim më të qëndrueshëm sesa imigrantët afatgjatë. Të gjithë ata e kishin kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre në Slloveni e kishin lidhur aty marrëdhënie personale, shoqërore, kulturore, gjuhësore dhe ekonomike, të cilat përbëjnë jetën private të çdo qenieje njerëzore; shumica prej tyre kishin ndërtuar gjithashtu një jetë familjare në Slloveni ose ruanin lidhje me familjen e tyre të mbetur aty.
337. Dhoma nxori përfundimin se paditësit e kishin asokohe në Slloveni një jetë private dhe/ose familjare në kuptimin e nenit 8 § 1 të Konventës. Ajo qe përveç kësaj e mendimit se ndikimet e “fshirjes” dhe mospranimi këmbëngulës i autoriteteve sllovene për ta rregulluar në të gjitha aspektet situatën e paditësve analizoheshin si një ndërhyrje në ushtrimin nga ana e të interesuarve të të drejtave të tyre që rridhnin nga neni 8 i Konventës, veçanërisht në rastin e paditësve të kthyer në persona pa shtetësi (paragrafët 348-361 të vendimit të Dhomës).
338. Rreth pikës nëse kjo ndërhyrje ishte “e parashikuar nga ligji” në kuptimin e nenit 8 § 2, Dhoma ka vënë re se “fshirja” ishte gjykuar e paligjshme nga Gjykata Kushtetuese dhe nuk ka parë asnjë arsye për t’u shmangur nga vendimet e këtij juridiksioni të lartë. Ajo ka nxjerrë pra si përfundim shkeljen e nenit 8, duke pasur gjithashtu parasysh normat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare për parandalimin e rasteve të pashtetësisë, sidomos në situatë pasardhjeje shtetesh (paragrafët 362-376 të vendimit të Dhomës).
C. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
1. Rreth zbatueshmërisë së nenit 8 ndaj ankesave të paditësve
339. Dhoma e Madhe vëren pikësëpari se Qeveria nuk e kundërshton përpara saj që “fshirja” dhe ndikimet e saj t’i kenë dëmtuar paditësit dhe që ato analizohen si një ndërhyrje në “jetën private dhe familjare” të të interesuarve në kuptimin e nenit 8 § 1 të Konventës (Slivenko k. Letonisë [DhM], nr. 48321/99, § 96, GjEDNj 2003‑X). Pasi ka shqyrtuar argumentet e të dyja palëve, Dhoma e Madhe nuk sheh asnjë arsye për t’u shmangur nga përfundimet e Dhomës sipas të cilave, ndonëse “fshirja” u bë përpara 28 qershorit 1994, datë e hyrjes në fuqi të Konventës ndaj Sllovenisë, paditësit e gëzonin në kohën e ngjarjeve në Slloveni një jetë private dhe/ose familjare, në kuptimin e nenit 8 § 1 të Konventës, dhe se “fshirja” ua ka cenuar dhe vazhdon t’ua cenojë të drejtat që rrjedhin nga neni 8 (paragrafi 337 i mësipërm).
340. Mbetet për t’u shqyrtuar nëse kjo ndërhyrje ishte në përputhje me kërkesat e paragrafit të dytë të nenit 8 të Konventës, me fjalë të tjera nëse ajo ishte “e parashikuar nga ligji”, nëse ndiqte një apo disa nga qëllimet e numëruara në paragrafin e lartpërmendur dhe nëse ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike” për të realizuar këtë ose këto qëllime.
2. Rreth përligjjes së ndërhyrjes
a) A ishte ndërhyrja “e parashikuar nga ligji”?
341. Sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës, shprehja “e parashikuar nga ligji” kërkon që masa e fajësuar të ketë një bazë në të drejtën e brendshme por ka gjithashtu parasysh edhe cilësinë e ligjit në fjalë, duke kërkuar që ky i fundit të jetë i arritshëm për personin e prekur dhe i parashikueshëm për sa u përket efekteve të tij (Amann k. Zvicrës [DhM], nr. 27798/95, § 50, GjEDNj 2000‑II, dhe Slivenko, i cituar më lart, § 100).
342. Gjykata vëren se “fshirja” nga Regjistri e emrit të paditësve, ashtu si edhe për më shumë se 25 000 shtetas të tjerë të ish-RSFJ-së, ka ardhur si rezultat i efektit të kombinuar të dy dispozitave të ligjeve për pavarësinë të miratuar më 25 qershor 1991: nenit 40 të Ligjit për shtetësinë dhe nenit 81 të Ligjit për të huajt (paragrafët 25 e 27 të mësipërm). Shtetasit e ish-RSFJ-së që ishin me shtetësinë e njërës nga republikat e tjera, por me vendbanim në mënyrë të përhershme në Slloveni, dhe që nuk e kishin kërkuar shtetësinë sllovene më 25 dhjetor 1991 apo kërkesa e të cilëve ishte rrëzuar, iu nënshtruan nenit 81, pika e dytë, të Ligjit për të huajt. Më 26 shkurt 1992, kur kjo dispozitë u bë drejtpërdrejt e zbatueshme, paditësit u kthyen në të huaj.
343. Gjykata çmon se neni 40 i Ligjit për shtetësinë dhe neni 81 i Ligjit për të huajt janë instrumente juridike që ishin të arritshme për çdo person të interesuar. Pra, paditësit mund ta parashikonin se, po të mos kërkonin shtetësinë sllovene, do të trajtoheshin si të huaj. Megjithatë, sipas mendimit të Gjykatës, ata nuk kishte arsye të parashikonin, në mungesë të çdolloj dispozite për këtë qëllim, që gjendja e tyre si të huaj do të sillte paligjshmërinë e qëndrimit të tyre në territorin slloven dhe do të çonte në një masë aq të skajshme sa “fshirja”. Lidhur me këtë, është me vend të rikujtohet se “fshirja” është bërë automatikisht dhe pa njoftim paraprak. Përveç kësaj, paditësit nuk e kanë pasur mundësinë as për ta kundërshtuar këtë masë përpara autoriteteve të brendshme kompetente, as për të parashtruar arsyet se përse nuk e kishin kërkuar shtetësinë sllovene. Mungesa e çdolloj njoftimi a informimi personal ka mundur t’i bëjë të mendojnë se statusi i tyre si persona me vendbanim atje mbetej i pandryshuar dhe se do të mund të vazhdonin të qëndronin e të punonin në Slloveni ashtu siç po bënin që prej shumë vitesh. Madje ata vetëm rastësisht kanë marrë dijeni për “fshirjen” (paragrafët 89, 111, 126, 137, 162 dhe 177 të mësipërm). Pra, mund të dyshohet seriozisht për parashikueshmërinë e masës që është bërë objekt i këtij konflikti.
344. Përveç kësaj, Gjykata nuk mund t’i japë një peshë të madhe faktit që, në vendimin e saj udhëzues të 4 shkurtit 1999, Gjykata Kushtetuese ka gjykuar se transferimi i emrave të “personave të fshirë” nga Regjistri i personave me vendbanim të përhershëm në atë të të huajve jo të pajisur me leje qëndrimi nuk kishte asnjë bazë në të drejtën e brendshme; as Ligji për të huajt, as Ligji për regjistrin e popullsisë dhe të personave me vendbanim nuk e parashikonin një masë të tillë heqjeje nga regjistri dhe transferimi (paragrafët 41 dhe 214 të mësipërm). Për më tepër, Gjykata Kushtetuese ka çmuar se asnjë dispozitë ligjore nuk e përcaktonte kalimin nga situata e “personit të fshirë” në atë të të huajit që jeton në Slloveni; në fakt, nenet 13 dhe 16 të Ligjit për të huajt (paragrafi 207 i mësipërm), të konceptuara për të huajt që hyjnë në Slloveni, nuk ishin të zbatueshme ndaj paditësve (paragrafët 41-42, 44-45 dhe 214 të mësipërm). Pra, në legjislacionin në fuqi në atë kohë kishte një zbrazëti juridike, përderisa shtetasve të ish-RSFJ-së që kishin shtetësinë e njërës nga republikat e tjera dhe i përkisnin nenit 81, pikës së dytë, të Ligjit për të huajt, nuk u vihej në dispozicion asnjë procedurë që t’u lejonte të kërkonin një leje qëndrimi të përhershëm. Në bazë të nenit 13 të Ligjit për të huajt, në fakt, ata mund të kërkonin vetëm një leje të përkohshme qëndrimi, njëlloj sikur të ishin të huaj që hynin në Slloveni mbi bazën e një vize të vlefshme dhe që dëshironin të qëndronin më gjatë brenda territorit.
345. Për më tepër, nga qarkoret administrative dërguar shërbimeve administrative nga Ministria e Brendshme, sidomos prej atyre të 27 shkurtit dhe të 15 qershorit 1992 lidhur me vënien në zbatim të Ligjit për të huajt, me interpretimin e nenit 81 dhe me mbajtjen e regjistrave (paragrafët 28, 30 dhe 35 të mësipërm), del se autoritetet sllovene ishin në atë kohë të vetëdijshme për pasojat e dëmshme të “fshirjes”, e cila ishte bërë në fshehtësi. Si përkufizim, këto qarkore administrative nuk ishin të arritshme për paditësit.
346. Për këtë arsye, Gjykata çmon se deri më 8 korrik 1999, datë e miratimit të Ligjit për statusin juridik, legjislacioni dhe praktika administrative sllovene që denoncohen, të cilët kanë çuar në “fshirjen” objekt konflikti, nuk u përgjigjeshin kritereve të parashikueshmërisë dhe të arritshmërisë ashtu siç përcaktohen këto në jurisprudencën e Gjykatës.
347. Natyrisht, më 8 korrik 1999, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 4 shkurtit 1999, Ligji për statusin juridik u miratua për të rregulluar statusin e “personave të fshirë” (paragrafët 49-50 të mësipërm). Megjithatë, më 3 prill 2003, Gjykata Kushtetuese gjykoi se disa dispozita të këtij ligji ishin jo kushtetuese, veçanërisht për arsyen se ato nuk u jepnin “personave të fshirë” leje qëndrimi të përhershëm me efekt prapaveprues dhe nuk e rregullonin situatën e personave që ishin dëbuar (paragrafët 58-60 dhe 215 të mësipërm). Së fundi, është dashur të pritet më shumë se shtatë vjet, deri më 24 korrik 2010, datë e miratimit të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik (paragrafi 76 i mësipërm), që të ekzekutohej ky vendim i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i cili urdhëronte masa të përgjithshme.
348. Për rrjedhojë, të paktën deri më 2010, sistemi juridik i brendshëm nuk i ndreqte qartësisht pasojat e “fshirjes” dhe statusin si persona me vendbanim të atyre që i ishin nënshtruar asaj. Për këtë arsye, paditësit jo vetëm që ta parashikonin masën objekt konflikti, por për më tepër e kishin edhe të pamundur që t’i merrnin parasysh ndikimet e saj në jetën e tyre private dhe/ose familjare.
349. Këto elemente i mjaftojnë Gjykatës për të nxjerrë përfundimin se ndërhyrja e diskutueshme në ushtrimin nga ana e paditësve të të drejtave të tyre që rrjedhin prej nenit 8 nuk ishte “parashikuar nga ligji” dhe se ka pasur shkelje të kësaj dispozite.
350. Megjithatë, në rrethanat e veçanta të çështjes në fjalë dhe duke pasur parasysh ndikimet e gjera të “fshirjes”, Gjykata e çmon me vend të shqyrtohet gjithashtu nëse kjo masë ndiqte ndonjë qëllim të drejtë dhe ishte në përpjesëtim me atë qëllim, pavarësisht nga fakti që nuk mbështetej në një bazë të mjaftueshme ligjore.
b) A ndiqte ndërhyrja ndonjë qëllim të drejtë?
351. Qeveria mbron mendimin se, në kohën e krijimit të shtetit të ri, ligjet për pavarësinë ndiqnin qëllimin e drejtë që përbën ruajtja e sigurisë kombëtare. Për më tepër, e drejta e shtetit për të kontrolluar hyrjen dhe qëndrimin e të huajve në territorin e tij parakuptuaka që ai të mund të marrë masa shkëshilluese, si dëbimi, ndaj personave që i shkelin ligjet për imigrimin (paragrafi 325 i mësipërm).
352. Gjykata çmon se qëllimi i ligjeve për pavarësinë dhe i masave të marra ndaj paditësve nuk mund të shkëputet prej kontekstit të shpërbërjes së RSFJ-së, të shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë më 1991 dhe të krijimit të një demokracie politike efektive, të cilët nënkuptonin krijimin e një “trupi qytetarësh sllovenë” për mbajtjen e zgjedhjeve legjislative. Ndërhyrja e denoncuar (“fshirja”) duhet të këqyret ne këtë kontekst të përgjithshëm.
353. Gjykata është pra e mendimit se, me miratimin e ligjeve për pavarësinë, të cilat parashikonin mundësinë për të gjithë shtetasit e republikave të ish-RSFJ-së me vendbanim në Slloveni që të zgjidhnin për të marrë shtetësinë sllovene vetëm brenda një periudhe të shkurtër, autoritetet sllovene kanë kërkuar të krijojnë një “trup qytetarësh sllovenë” dhe të mbronin kështu interesat e sigurisë kombëtare të vendit (shih, mutatis mutandis, Slivenko, i cituar më lart, §§ 110-111), qëllim i drejtë në vështrim të nenit 8 § 2 të Konventës.
c) A ishte ndërhyrja “e nevojshme në një shoqëri demokratike”?
354. Këto ligje për pavarësinë kanë pasur megjithatë pasoja të dëmshme për shtetasit e ish-RSFJ-së që nuk e kishin kërkuar shtetësinë sllovene brenda afatit të parashikuar gjashtëmujor dhe që janë kthyer për rrjedhim në të huaj që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në territorin slloven sepse u ishte “fshirë” emri nga Regjistri i personave me vendbanim të përhershëm. Gjykata do ta vlerësojë përputhshmërinë e kësaj mase me të drejtën e paditësve për respektimin e jetës së tyre private dhe/ose familjare. Ajo rikujton se një masë që përbën ndërhyrje në ushtrimin e të drejtave të garantuara nga neni 8 § 1 i Konventës, mund të konsiderohet si “e nevojshme në një shoqëri demokratike” nëse ajo është marrë për t’iu përgjigjur një nevoje të ngutshme shoqërore dhe nëse mjetet e përdorura kanë qenë në përpjesëtim me qëllimet e ndjekura. Detyra e Gjykatës është që të përcaktojë nëse masat në fjalë e kanë respektuar një baraspeshë të drejtë midis interesave të pranishëm, konkretisht, në njërën anë, të drejtat e individit të prekur në vështrim të Konventës dhe, në anën tjetër, interesat e shoqërisë (Slivenko, i cituar më lart, § 113).
355. Ashtu sikurse e ka deklaruar shpesh Gjykata, Konventa nuk e garanton për një të huaj të drejtën për të hyrë apo për të qëndruar me vendbanim në një vend të veçantë dhe shtetet kontraktuese kanë të drejtën që, në bazë të një parimi juridik ndërkombëtar të mirëqenë dhe pa i dëmtuar zotimet që u rrjedhin atyre nga traktatet, duke përfshirë edhe Konventën, të kontrollojnë hyrjen, qëndrimin dhe largimin e jo-shtetasve (shih, ndërmjet shumë të tjerash, Chahal k. Mbretërisë së Bashkuar, 15 nëntor 1996, § 73, Recueil 1996‑V; El Boujaïdi k. Francës, 26 shtator 1997, § 39, Recueil 1997‑VI; Baghli k. Francës, nr. 34374/97, § 45, GjEDNj 1999‑VIII; Boultif k. Zvicrës, nr. 54273/00, § 39, GjEDNj 2001‑IX; Üner k. Vendeve të Ulëta [DhM], nr. 46410/99, § 54, GjEDNj 2006‑XII; dhe Slivenko, i cituar më lart, § 115). Sidoqoftë, masat që e kufizojnë të drejtën e një personi për të qëndruar në një vend mundet, në disa raste, të shkaktojnë një shkelje të nenit 8 të Konventës, nëse prej tyre del se ka ndikime të shpërpjesëtuara mbi jetën private dhe/ose familjare të të interesuarit (Boultif, i cituar më lart, § 55; Slivenko, i cituar më lart, § 128; Radovanovic k. Austrisë, nr. 42703/98, §§ 36-37, 22 prill 2004, dhe Maslov k. Austrisë [DhM], nr. 1638/03, § 100, GjEDNj 2008).
356. Në rastin e çështjes në fjalë, paditësit, të cilët para shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë qëndronin prej disa vitesh në mënyrë të ligjshme me vendbanim në territorin slloven, gëzonin si shtetas të ish-RSFJ-së një varg të drejtash shoqërore dhe politike. “Fshirja” ka pasur për ta një numër pasojash të dëmshme si asgjësimi i dokumenteve të tyre të identitetit, humbja e mundësive për punësim, humbja e sigurimit të tyre shëndetësor, pamundësia për t’i ripërtërirë dokumentet e tyre të identitetit dhe lejet e tyre për drejtim automjeti, si edhe vështirësi për të përfituar nga të drejtat e tyre për pension. Faktikisht, zbrazëtia juridike e lënë nga ligjet për pavarësinë (paragrafi 344 i mësipërm) ua ka hequr paditësve atë status juridik që u kishte çelur atyre më parë rrugën për një varg të drejtash.
357. Qeveria shpjegon se “fshirja” është bërë sepse të interesuarit nuk kishin kërkuar të merrnin shtetësinë sllovene. Gjykata thekson megjithatë se një i huaj që qëndron me vendbanim në mënyrë të ligjshme në një vend mund të dëshirojë të vazhdojë të jetojë aty pa e marrë me doemos shtetësinë. Siç e tregojnë vështirësitë me të cilat janë ndeshur paditësit për shumë vite me radhë për të marrë një leje të vlefshme qëndrimi, ligjvënësi slloven nuk kishte miratuar dispozita për t’u lejuar shtetasve të ish-RSFJ-së që kishin shtetësinë e njërës nga republikat e tjera rregullimin e statusit të tyre si persona me vendbanim aty, në qoftë se ata kishin zgjedhur të mos e merrnin shtetësinë sllovene apo nëse nuk e kishin kërkuar atë. Dispozita të tilla nuk do t’i kishin komprometuar sidoqoftë qëllimet e drejta të ndjekura, konkretisht kontrollin e qëndrimit të të huajve dhe krijimin e një trupi qytetarësh sllovenë.
358. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton që, nëse neni 8 synon në thelb ta mbrojë individin nga ndërhyrje arbitrare të pushtetit publik, ai nuk mjaftohet duke i dhënë urdhër shtetit për të mos bërë ndërhyrje të tilla: këtij angazhimi negativ mund t’i shtohen detyrime pozitive për një “respektim” efektiv të jetës private dhe/ose familjare, veçanërisht në rastin e imigrantëve afatgjatë si paditësit (shih, mutatis mutandis, Gül k. Zvicrës, 19 shkurt 1996, § 38, Recueil 1996‑I; Ahmut k. Vendeve të Ulëta, 28 nëntor 1996, § 67, Recueil 1996‑VI, dhe Mehemi k. Francës (nr. 2), nr. 53470/99, § 45, GjEDNj 2003‑IV).
359. Gjykata çmon se, në rrethanat e veçanta të çështjes në fjalë, shteti ishte dashur ta rregullonte statusin si person me vendbanim të shtetasve të ish-RSJ-së, për ta shmangur rrezikun që mosmarrja e shtetësisë sllovene të cenonte në mënyrë të shpërpjesëtuar të drejtat e “personave të fshirë” të cilat rridhnin nga neni 8. Mungesa e një rregullimi të tillë dhe pamundësia e tejzgjatur e paditësve për të marrë leje të vlefshme qëndrimi e kanë prishur baraspeshimin e drejtë që duhej të ruante shteti midis qëllimit të drejtë që përbënte mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe respektimit efektiv të jetës private dhe/ose familjare të paditësve.
d) Përfundim
360. Gjykata çmon se, me gjithë përpjekjet që kanë bërë pas vendimeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese më 1999 e 2003 dhe, së fundmi, me miratimin e Ligjit të ndryshuar për statusin juridik, autoritetet sllovene nuk i kanë ndrequr nga të gjitha pikëpamjet dhe me shpejtësinë e duhur karakterin e përgjithësuar të “fshirjes” dhe pasojat e saj të rënda për paditësit.
361. Për arsyet e paraqitura këtu më lart, masat e denoncuara nuk ishin as “të parashikuara nga ligji”, as “të nevojshme në një shoqëri demokratike” për të arritur atë qëllim të drejtë që përbënte mbrojtja e sigurisë kombëtare.
362. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
(...)
IV. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 14 TË BASHKUAR ME NENIN 8 TË KONVENTËS
373. Paditësit pretendojnë se, po të krahasohen me të huajt (të huajt “e vërtetë”) të cilët vazhduan të qëndrojnë me vendbanim në Slloveni në bazë të një lejeje qëndrimi të përkohshëm a të përhershëm, ata kanë qenë objekt i një diskriminimi mbi bazën e origjinës së tyre kombëtare, për sa u përket gëzimit të të drejtave të tyre që rrjedhin nga neni 8.
374. Ata i referohen nenit 14 të Konventës, të formuluar kështu:
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
A. Tezat e palëve
1. Paditësit
375. Paditësit mbrojnë mendimin se janë trajtuar në mënyrë më pak të favorshme sesa të huajt “e vërtetë” që kishin filluar të jetonin në Slloveni përpara pavarësisë dhe lejet e qëndrimit të përhershëm të të cilëve mbetën të vlefshme në bazë të nenit 82 të Ligjit për të huajt.
376. Ata çmojnë se pika lidhur me trajtimin sipas tyre diskriminues të “personave të fshirë” është një ndër aspektet kryesore të çështjes në fjalë dhe se Dhoma e Madhe duhet ta shqyrtojë në themel ankesën e tyre të bërë sipas nenit 14 (Chassagnou me të tjerë k. Francës [DhM], nr. 25088/94, 28331/95 dhe 28443/95, § 89, GjEDNj 1999‑III, dhe Natchova me të tjerë k. Bullgarisë [DhM], nr. 43577/98 dhe 43579/98, §§ 160-168, GjEDNj 2005‑VII). Ata nënvizojnë se vetë Gjykata Kushtetuese e ka pohuar ekzistencën e një diskriminimi. Sipas tyre, përderisa Ligji për të huajt ua njihte të huajve “të vërtetë” të drejtën për të vazhduar të qëndronin me vendbanim brenda territorit, kjo e drejtë ishte dashur t’u njihej aq më shumë “personave të fshirë”.
377. Së fundi, paditësit e kundërshtojnë argumentin e Qeverisë (paragrafi 379 i mësipërm) se ata kanë qenë objekt i një diskriminimi pozitiv meqenëse nuk qenkan dëbuar; ata vënë në dukje se në të vërtetë pesë prej tyre u detyruan të largohen nga vendi.
2. Qeveria
378. Qeveria deklaron se, në momentin e pavarësisë së saj, Republika e Sllovenisë u ka lejuar shtetasve të republikave të tjera të ish-RSFJ-së që ishin me vendbanim të përhershëm në Slloveni që ta merrnin shtetësinë sllovene në kushte jashtëzakonisht të favorshme. Përveç kësaj, ligji kushtetues i vitit 1991 paska garantuar barazinë e trajtimit midis këtyre personave dhe shtetasve sllovenë deri në marrjen prej tyre të shtetësisë sllovene ose në përfundimin e afatit të caktuar nga Ligji për të huajt (paragrafi 202 i mësipërm). Megjithatë, duke pasur parasysh nevojën për të krijuar një trup qytetarësh sllovenë – sidomos për zgjedhjet legjislative të vitit 1992 – kjo barazi trajtimi nuk paska mundur të zgjaste pafundësisht. Prandaj, sipas Qeverisë, u takonte personave me vendbanim të përhershëm të cilët nuk e kishin shtetësinë sllovene që ta kapnin këtë rast për të marrë shtetësinë e Sllovenisë së pavarur, e cila nuk qenka dhënë automatikisht.
379. Situata e paditësve qenka pra e lidhur me mosmarrjen prej tyre, si të huaj, të lejes së qëndrimit të përhershëm. Atyre u qenka bërë në fakt i njëjti trajtim me të gjithë të huajt jo të pajisur me një leje qëndrimi. Për sa u takon legjislacionit të RSFJ-së dhe dispozitave të Ligjit për të huajt, ata nuk i paskan vënë kurrë paditësit në një situatë të krahasueshme me atë të të huajve “të vërtetë”. Për më tepër, paditësit paskan përfituar një diskriminim pozitiv, meqenëse si parim nuk qenkan dëbuar nga Sllovenia.
3. Palët e treta
380. Palët e treta, me përjashtim të Qeverisë serbe, ia kishin kushtuar në thelb vërejtjet e tyre përpara Dhomës çështjes së diskriminimit, rëndësia themelore e së cilës u pranuaka nga jurisprudenca e Gjykatës.
381. Sipas tyre, “personat e fshirë” ishin bërë objekt i një diskriminimi, njëherazi të drejtpërdrejtë e të tërthortë, të bazuar mbi origjinën e tyre kombëtare dhe/ose etnike (ato citonin D.H. me të tjerë k. Republikës Çeke, i cituar më lart, § 175). Dispozitat e Ligjit për të huajt paskan qenë më të rrepta ndaj “personave të fshirë” sesa ndaj të huajve të tjerë. Meqenëse popullsia sllovene ishte etnikisht më homogjene në krahasim me atë të republikave të tjera “fshirja” i paska prekur në mënyrë të shpërpjesëtuar personat që nuk ishin me origjinë etnike sllovene, pakicat e ish-RSFJ-së dhe romët, çka paska bërë kështu ndërmjet personave me vendbanim aty një diskriminim mbi bazën e origjinës etnike. Situata e pasigurisë juridike që paska rrjedhur andej për dhjetëvjeçarë të tërë për “personat e fshirë” nuk gjetka dot asnjë përligjje objektive. Së fundi, disa organe të tjera të Këshillit të Evropës e paskan interpretuar të drejtën për mosdiskriminim sikur kërkon masa pozitive nga ana e shteteve anëtare.
B. Vendimi i Dhomës
382. Duke pasur parasysh konstatimin e saj për shkelje të nenit 8 të Konventës, Dhoma ka çmuar se nuk ishte me vend që të shprehej rreth ankesës së bërë në bazë të nenit 14 (paragrafi 400 i vendimit të Dhomës).
C. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
383. Duke marrë parasysh rëndësinë që ka pika lidhur me diskriminimin në rastin e çështjes në fjalë, Dhoma e Madhe, në kundërshtim me Dhomën, çmon se është me vend që ta shqyrtojë ankesën e ngritur nga paditësit në fushën e nenit 14 të Konventës.
1. Zbatueshmëria e nenit 14 të Konventës
384. Sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës, neni 14 i Konventës i plotëson klauzolat e tjera normative të Konventës dhe të Protokolleve të saj. Ai nuk ekziston në mënyrë të pavarur, përderisa vlen vetëm për “gëzimin e të drejtave dhe të lirive” që ato garantojnë. Sigurisht, ai mund të hyjë në veprim edhe pa një mosplotësim të kërkesave të tyre dhe, në këtë masë, ai ka një rreze veprimi autonome, por ai nuk ka sesi të gjejë zbatim nëse faktet e mosmarrëveshjes nuk përfshihen në fushën e të paktën njërës nga klauzolat e lartpërmendura (shih, midis shumë të tjerash, Van Raalte k. Vendeve të Ulëta, 21 shkurt 1997, § 33, Recueil 1997‑I; Petrovic k. Austrisë, 27 mars 1998, § 22, Recueil 1998‑II, dhe Zarb Adami k. Maltës, nr. 17209/02, § 42, GjEDNj 2006‑VIII).
385. Në rastin e çështjes në fjalë, Gjykata ka çmuar se masat e denoncuara analizoheshin si një ndërhyrje e paligjshme në ushtrimin nga ana e paditësve të së drejtës së tyre për respektimin e “jetës private dhe familjare” në kuptimin e nenit 8 § 1 të Konventës (paragrafi 339 i mësipërm). Për pasojë, meqenëse neni 8 është i zbatueshëm për faktet e çështjes në fjalë, i tillë është gjithashtu edhe neni 14.
2. Shqyrtimi i nenit 14 të Konventës, të bashkuar me nenin 8
a) Parime të përgjithshme
386. Sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës, diskriminim është kur persona të vendosur në situata të krahasueshme trajtohen në mënyrë të ndryshme pa përligjje objektive dhe të arsyeshme (Willis k. mbretërisë së Bashkuar, nr. 36042/97, § 48, GjEDNj 2002‑IV). Një dallim në trajtim nuk ka përligjje objektive dhe të arsyeshme në qoftë se nuk ndjek një “qëllim të drejtë” ose nëse nuk ekziston një “raport i arsyeshëm përpjesëtueshmërie” midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar. Në rast dallimi në trajtim të bazuar te raca, ngjyra apo origjina etnike, nocioni i përligjjes objektive dhe të arsyeshme duhet të interpretohet sa më me rreptësi (shih, midis shumë të tjerash, Oršuš me të tjerë k. Kroacisë [DhM], nr. 15766/03, § 156, GjEDNj 2010).
387. Shtetet kontraktuese gëzojnë njëfarë hapësire vlerësimi për të përcaktuar nëse dhe në çfarë mase disa ndryshime midis situatash të ngjashme nga pikëpamje të tjera i përligjin disa dallime në trajtim (Gaygusuz k. Austrisë, 16 shtator 1996, § 42, Recueil 1996‑IV). Shtrirja e hapësirës për vlerësim ndryshon sipas rrethanave, fushave dhe kontekstit (Rasmussen k. Danimarkës, 28 nëntor 1984, § 40, seria A nr. 87, dhe Inze k. Austrisë, 28 tetor 1987, § 41, seria A nr. 126), por i takon Gjykatës të vendosë në shkallë të fundit rreth respektimit të kërkesave të Konventës. Duke qenë se Konventa është para së gjithash një mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Gjykata duhet gjithsesi të marrë parasysh zhvillimin e situatës në shtetet kontraktuese dhe të reagojë, për shembull, ndaj konsensusit që und të shfaqet për sa i përket normave që duhen mbërritur (shih Ünal Tekeli k. Turqisë, nr. 29865/96, § 54, GjEDNj 2004‑X, dhe, mutatis mutandis, Stafford k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 46295/99, § 68, GjEDNj 2002‑IV).
388. Megjithatë, neni 14 i Konventës nuk ua ndalon Palëve kontraktuese që t’i trajtojnë disa grupe në mënyrë të diferencuar për të korrigjuar “pabarazitë faktike” ndërmjet tyre; ç’është e vërteta, në disa rrethana, është pikërisht mungesa e një trajtimi të diferencuar për të korrigjuar një pabarazi ajo që, në mungesë të një përligjjeje objektive dhe të arsyeshme, mund të përbëjë shkelje të dispozitës në fjalë (Thlimmenos k. Greqisë [DhM], nr. 34369/97, § 44, GjEDNj 2000‑IV, dhe Sejdić e Finci k. Bosnjë-Hercegovinës [DhM], nr. 27996/06 dhe 34836/06, § 44, GjEDNj 2009). Gjykata ka pranuar gjithashtu se mund të konsiderohet si diskriminuese një politikë ose një masë e përgjithshme e cila ka efekte të dëmshme të shpërpjesëtuara mbi një grup personash, edhe nëse ajo nuk e synon këtë grup në veçanti, dhe se një diskriminim potencialisht i kundërt me Konventën mund të vijë si rezultat i një situate faktike (shih D.H. me të tjerë k. Republikës Çeke, i cituar më lart, § 175, dhe referencat që citohen aty).
389. Së fundi, për sa i përket barrës së provës për këtë, Gjykata ka vendosur tashmë që, kur një paditës e ka vërtetuar ekzistencën e një dallimi në trajtim, i takon Qeverisë ta provojë se ky dallim në trajtim ishte i përligjur (po aty, § 177).
b) Rreth pikës nëse ka pasur një dallim në trajtim ndërmjet personash të vënë në situata të krahasueshme
390. Duke iu kthyer çështjes në fjalë, Gjykata vëren se statusi i shtetasve nga shtete të ndryshme prej republikave të tjera të ish-RSFJ-së që jetonin në Slloveni përpara pavarësisë (të huajt “e vërtetë”) përcaktohej nga neni 82 i Ligjit për të huajt, sipas të cilit lejet e qëndrimit të përhershëm të këtyre personave mbeteshin të vlefshme (paragrafi 207 i mësipërm). Mirëpo , ky ligj nuk e rregullonte statusin e shtetasve nga republikat e tjera të ish-RSFJ-së të cilët ishin me vendbanim në Slloveni. Ashtu siç është theksuar këtu më lart, (paragrafi 344), kjo zbrazëti juridike ka çuar në “fshirjen e këtyre të fundit dhe në parregullsinë e qëndrimit të tyre në territorin slloven.
391. Do të mund të thuhej se, para pavarësisë së Sllovenisë, ekzistonte një dallim midis këtyre grupeve, meqenëse njëri përbëhej nga të huaj, ndërsa tjetri formohej nga shtetas të ish-shtetit federal, pjesë përbërëse e të cilit ishte Sllovenia. Gjykata çmon megjithatë se, pas shpalljes të pavarësisë dhe lindjes së shtetit të ri, situata e këtyre dy grupeve personash u bë të paktën e krahasueshme. Ata përbëheshin në fakt që të dy nga të huaj të cilët kishin shtetësinë e një shteti që ishte i ndryshëm nga Sllovenia si dhe nga persona pa shtetësi. Por, pas “fshirjes”, vetëm pjesëtarët e njërit nga këta dy grupe kanë mundur ta mbajnë lejen e tyre të qëndrimit.
392. Prandaj, ka pasur një dallim në trajtim ndërmjet këtyre dy grupeve – të huajve “të vërtetë” dhe shtetasve të republikave të ish-RSFJ-së të ndryshme nga Sllovenia – të cilët ndodheshin në një situatë të ngjashme për sa i përket çështjeve të qëndrimit.
c) Rreth ekzistencës së një përligjjeje objektive dhe të arsyeshme
393. Gjykata nuk e sheh se për çfarë arsyeje nevoja, e përmendur nga Qeveria, për të krijuar një trup qytetarësh sllovenë për mbajtjen e zgjedhjeve legjislative të vitit 1992 (paragrafi 378 i mësipërm) ka mundur të kërkojë që të vendosej një dallim në trajtim midis të huajve për sa i përket dhënies së mundësisë për të qëndruar në Slloveni, përderisa një leje qëndrimi nuk ia jep të drejtën e votës mbajtësit të saj. Sigurisht, mundësia për të marrë shtetësinë sllovene në kushte të favorshme u është dhënë vetëm “personave të fshirë” dhe jo të huajve “të vërtetë”. Megjithatë, Gjykata e ka theksuar tashmë se fakti që nuk e kishin kërkuar shtetësinë nuk mund të paraqitej në vetvete si një motiv i arsyeshëm për t’ua hequr një grupi të huajsh lejet e tyre të qëndrimit (paragrafi 357 i mësipërm).
394. Për këtë arsye, Gjykata çmon se dallimi në trajtim që denoncohet bazohej në origjinën kombëtare të të interesuarve – duke qenë se shtetasit e ish-RSFJ-së trajtoheshin ndryshe nga të huajt e tjerë – dhe nuk ndiqte një qëllim të drejtë; për pasojë, ai nuk mbështetej në një përligjje objektive dhe të arsyeshme (shih, mutatis mutandis, Sejdić e Finci, i cituar më lart, §§ 45-50). Përveç kësaj, pas shpalljes së pavarësisë, situata e shtetasve të ish-RSFJ-së, mes të cilëve paditësit, ndryshoi në mënyrë të konsiderueshme në krahasim me atë të të huajve “të vërtetë”. Para vitit 1991, shtetasit e ish-RSFJ-së ndodheshin në një situatë të privilegjuar në krahasim me të huajt “e vërtetë” për sa u takonte çështjeve që lidheshin me vendbanimin. Mund të konsiderohet se në atë kohë shtetësia e shtetit federal ishte një përligjje objektive për një trajtim të tillë me preferencë. Por, pas miratimit të ligjeve për pavarësinë, shtetasit e ish-RSFJ-së u gjendën papritur në një situatë parregullsie, të cilën Gjykata e ka gjykuar si në kundërshtim me nenin 8 (paragrafët 361-362 të mësipërm), dhe në kushte të pavolitshme në krahasim me të huajt “e vërtetë”, lejet e qëndrimit të përhershëm të të cilëve ishin të vetmet që kishin mbetur të vlefshme, ndonëse të interesuarit nuk e kishin kërkuar shtetësinë sllovene (paragrafi 390 i mësipërm). Prandaj, Gjykata është e mendimit se legjislacioni në fjalë i ka rënduar me një barrë të tepruar e të shpërpjesëtuar shtetasit e ish-RSFJ-së.
395. Përfundimi i mësipërm përforcohet gjithashtu edhe nga vendimi i 4 shkurtit 1999, ku Gjykata Kushtetuese ka thënë se “personat e fshirë” ndodheshin në një situatë juridike më pak të favorshme sesa të huajt “e vërtetë” që ishin me vendbanim në Slloveni përpara pavarësisë dhe lejet e posaçme të të cilëve për qëndrim të përhershëm mbeteshin të vlefshme në bazë të nenit 82 të Ligjit për të huajt (paragrafi 42 i mësipërm).
396. Duke pasur parasysh çka paraprin, Gjykata çmon se ka pasur shkelje të nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës.
V. NENI 46 I KONVENTËS
397. Neni 46 i Konventës, në pjesën e tij që lidhet me çështjen në fjalë, lexohet kështu:
“1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikëqyr ekzekutimin e tij.
(...).”
398. Mbi bazën e kësaj dispozite, paditësit i kërkojnë Gjykatës t’i tregojë Qeverisë së paditur masat e përgjithshme për ndreqjen e situatës së “personave të fshirë”.
A. Tezat e palëve
1. Paditësit
399. Paditësit janë të mendimit se, në këtë stad dhe në mungesë të një praktike të brendshme të vendosur, miratimi dhe zbatimi i Ligjit të ndryshuar për statusin juridik nuk mund të paraqiten si masa të përgjithshme të tilla që i japin fund shkeljes sistematike të të drejtave të “personave të fshirë”.
400. Ligji i ndryshuar për statusin juridik përbëka, pikësëpari, një zgjidhje të pamjaftueshme, sepse e zbatuaka në mënyrë tejet minimale e kufizuese vendimin e 3 prillit 2003 dhe i ruajtka karakteristikat e kërkesat kryesore të ligjit të mëparshëm. Ligjvënësi e paska ndryshuar kushtin e “qenies vërtet me vendbanim në Slloveni” për të përfshirë aty disa përjashtime. Megjithatë, disa nga rastet e “personave të fshirë” nuk i përkitkan asnjërit nga përjashtimet e parashikuara. Procedura qenka e ngadaltë dhe e kushtueshme dhe barra e provës i rënka “personave të fshirë”. Për rastet e mungesës së zgjatur në Slloveni, “personat e fshirë” u dashka të tregojnë se ishin përpjekur të ktheheshin në këtë vend gjatë dhjetë viteve të para, çka qenka tejet e vështirë të provohet. Statistikat e fundit nuk qenkan pra aspak të habitshme: në qershor 2011, nga 127 kërkesa të paraqitura (nga gjithsej 13 000 persona që mendohet se u përgjigjen kushteve të kërkuara), vetëm tridhjetë qenkan pranuar e gjashtëdhjetë qenkan rrëzuar. Përqindja e lartë e kërkesave të mënjanuara treguaka të metat e rënda të ligjit.
401. Për sa u përket masave individuale, dhënia e lejes së qëndrimit të përhershëm nuk përbëka një ndreqje të mjaftueshme për shkeljet e vëna re. Dëmi i madh moral e material i pësuar kërkuaka masa ndreqëse shtesë, e sidomos marrjen e masave individuale për zhdëmtim. Këtë paska nënvizuar gjithashtu edhe Komiteti për Zhdukjen e Diskriminimit Racial në vërejtjet e tij përfundimtare të vitit 2010. Edhe Komisari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës paska deklaruar se nevojiteshin masa të tjera, veçanërisht në fushën e ribashkimit familjar, për të ndrequr shkeljet e pësuara nga “personat e fshirë”. Ai paska theksuar se legjislacioni i ri nuk jepte një mekanizëm të ri të tillë që t’u ofronte të interesuarve një zhdëmtim të drejtë për vitet e shumta kur statusi i tyre nuk paska qenë i rregulluar. Në vërejtjet e tij përfundimtare, edhe Komiteti kundër Torturës e paska inkurajuar Qeverinë e paditur për ta lehtësuar integrimin e plotë të “personave të fshirë”, duke përfshirë edhe ata që u përkasin komuniteteve rome. Përveç kësaj, që të tre organet ndërkombëtare të lartpërmendura i paskan nënvizuar të metat e Ligjit të ndryshuar për statusin juridik.
2. Qeveria
402. Te miratimi dhe zbatimi i Ligjit të ndryshuar për statusin juridik, Qeveria sheh masa të përgjithshme, të përshtatshme dhe shteruese që e garantojnë të drejtën për respektimin e jetës private dhe/ose familjare të “personave të fshirë”. Vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 2003 qenka vënë kështu tërësisht në jetë.
403. Sipas mendimit të Qeverisë, Dhoma nuk i ka dhënë rëndësi aq sa duhej faktit që Ligji i ndryshuar për statusin juridik ishte duke hyrë në fuqi. Republika e Sllovenisë i paskësh marrë pra tashmë masat e përshtatshme para se Dhoma ta shpallte vendimin e saj. Për më tepër, “personat e fshirë” qenkëshin informuar me mjete të ndryshme (broshurë, internet, numër telefoni falas, etj.). Pikërisht për këtë arsye e paska kërkuar Qeveria kalimin e çështjes përpara Dhomës së Madhe.
404. Përveç kësaj, më 25 nëntor 2011, për të trajtuar problemin e “personave të fshirë” qenka ngarkuar një komision ndërqeveritar. Për më tepër, autoritetet e kontrolluakan rregullisht zbatimin e ligjit. Në bazë të Ligjit të ndryshuar për statusin juridik, qenkan lëshuar gjashtëdhjetë e katër leje qëndrimi të përhershëm dhe 111 leje plotësuese. Gjithsej, 12 500 “persona të fshirë” e paskan ndrequr situatën e tyre.
B. Vendimi i Dhomës
405. Dhoma ka shënuar se shkelja e vënë re për mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e autoriteteve ligjvënëse dhe administrative sllovene i tregonte qartë masat e përgjithshme dhe individuale që ishte e udhës të merreshin në rendin e brendshëm juridik slloven: miratim i një ligji të përshtatshëm dhe ndreqja e situatës të secilit paditës përmes lëshimit të lejeve të qëndrimit të përhershëm me efekt prapaveprues (paragrafët 401-407 të vendimit të Dhomës).
C. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
406. Në bazë të nenit 46 të Konventës, Palët e Larta Kontraktuese zotohen të respektojnë vendimet e formës së prerë të dhëna nga Gjykata në çështjet ku ato janë palë, ndërkohë që Komiteti i Ministrave ngarkohet të mbikëqyrë ekzekutimin e këtyre vendimeve. Nga kjo rrjedh sidomos se, kur Gjykata konstaton një shkelje, shteti i paditur ka detyrimin juridik jo vetëm që t’i paguajë të interesuarit shumat e caktuara si shpërblim i drejtë i parashikuar nga neni 41, por edhe që të zgjedhë masat e përgjithshme dhe/ose, nëse është rasti, individuale, që duhet të merren. Meqenëse vendimet e Gjykatës kanë një karakter në thelb deklarativ, shteti i paditur mbetet i lirë, nën kontrollin e Komitetit të Ministrave, që të zgjedhë mjetet për ta shlyer detyrimin e vet juridik në vështrim të nenit 46 të Konventës, për aq sa këto mjete përputhen me përfundimet që përmban vendimi i Gjykatës (Scozzari e Giunta k. Italisë [DhM], nr. 39221/98 dhe 41963/98, § 249, GjEDNj 2000‑VIII; Sejdovic, i cituar më lart, § 119, dhe Alexanian k. Rusisë, nr. 46468/06, § 238, 22 dhjetor 2008).
407. Por, në disa raste që përbëjnë përjashtim, për ta ndihmuar shtetin e paditur që t’i plotësojë detyrimet e tij sipas nenit 46, Gjykata mund të kërkojë të tregojë llojin e masave që duhet të merren për t’i dhënë fund situatës së vënë re (shih, për shembull, Broniowski, i cituar më lart, § 194).
408. Në çështjen në fjalë, Gjykata ka vënë re disa shkelje të të drejtave të paditësve të cilat rrjedhin nga nenet 8, 13 e 14; këto shkelje kanë ardhur kryesisht për arsye se, pavarësisht nga vendimet udhëzuese të Gjykatës Kushtetuese, autoritetet sllovene kanë ndenjur për një kohë të gjatë pa e rregulluar statusin e paditësve pas “fshirjes” së tyre dhe pa u dhënë atyre një ndreqje të përshtatshme..
409. “Fshirja” ka prekur një kategori të tërë shtetasish të ish-RSFJ-së që ishin me vendbanim të përhershëm në Slloveni dhe që kishin shtetësinë e njërës nga republikat e ish-RSFJ-së në momentin e shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë. Kjo masë ka pasur pra dhe vazhdon të ketë ndikime mbi një numër të madh njerëzish.
410. Gjithsesi, nuk duhet harruar se reformat e ndryshme legjislative, veçanërisht Ligji i ndryshuar për statusin juridik (paragrafët 76-79 dhe 211 të mësipërm), janë vënë në zbatim pas shpalljes së vendimit të Dhomës. Ky ligj i ri u jep “personave të fshirë” mundësinë për ta ndrequr qëndrimin e tyre në Slloveni duke kryer disa përçapje. Është me vend të shënohet gjithashtu se të gjashtë paditësit në rastin e të cilëve Gjykata ka vënë re një shkelje të Konventës kanë marrë leje qëndrimi të përhershëm (paragrafët 95, 123, 133, 158, 173 dhe 194 të mësipërm) dhe se Qeveria ka ngarkuar një komision ndërqeveritar për të kontrolluar zbatimin e Ligjit të ndryshuar për statusin juridik dhe për ta trajtuar problemin e “personave të fshirë” (paragrafi 404 i mësipërm).
411. Është e vërtetë që Ligji i ndryshuar për statusin juridik është në fuqi që prej 24 korrikut 2010 dhe që disa organe ndërkombëtare kontrolli kanë nënvizuar disa të meta të tij (...). Megjithatë, Gjykata çmon se do të ishte e parakohshme në këtë stad, në mungesë të një praktike të brendshme të vendosur, që të shqyrtohej nëse reformat e paraqitura më lart dhe masat e ndryshme të marra nga Qeveria kanë arritur ta ndreqin në mënyrë të kënaqshme situatën e “personave të fshirë” për sa i përket të drejtës së tyre të qëndrimit (shih, mutatis mutandis, Sejdovic, i cituar më lart, §§ 119 dhe 123).
412. Në të njëjtën kohë, Gjykata ka vënë re se paditësit nuk kishin marrë një zhdëmtim të përshtatshëm financiar për vitet gjatë të cilave ata ishin gjendur në një situatë cenueshmërie dhe pasigurie juridike dhe se, në gjendjen se si paraqiten punët sot, mundësia për të marrë zhdëmtim në nivel kombëtar në kuadrin e një procedure civile ose përpara Prokurorisë së Përgjithshme mbetet e dobët (paragrafi 268 i mësipërm). Për këtë arsye, Gjykata çmon që faktet e çështjes në fjalë zbulojnë se, në rendin juridik slloven, ekziston një e çarë për pasojë të së cilës të tërë “personave të fshirë” vijon të mos pranohet t’u jepet zhdëmtim për shkeljen e të drejtave të tyre themelore.
413. Gjykata çmon se kjo çështje lë shteg për zgjedhjen e procedurës së vendimit pilot në kuptimin e nenit 61 të Rregullores së saj, meqenëse një nga kushtet themelore për zbatimin e kësaj procedure është që vlerësimi i Gjykatës për situatën e denoncuar në çështjen “pilot” të shtrihet përtej interesave të vetëm paditësit ose paditësve për të cilët bëhet fjalë dhe t’i kërkojë Gjykatës që ta shqyrtojë çështjen edhe në këndvështrimin e masave të përgjithshme që duhet të merren në interesin e personave të tjerë të prekur potencialisht (Broniowski k. Polonisë (zgjidhje me pajtim) [DhM], nr. 31443/96, § 36, GjEDNj 2005‑IX, dhe Hutten-Czapska k. Polonisë (zgjidhje me pajtim) [DhM], nr. 35014/97, § 33, 28 prill 2008). Lidhur me këtë, Gjykata vëren se në vijim të vendimit pilot që ajo ka dhënë në çështjen Lukenda k. Sllovenisë (nr. 23032/02, §§ 89-98, GjEDNj 2005‑X), e cila kishte të bënte me kohëzgjatjen e tepruar të një procedure gjyqësore dhe me mosfunksionimet e rendit të brendshëm juridik në këtë drejtim, Qeveria ka marrë një numër masash, sidomos për ngritjen e një mekanizmi të posaçëm financiar. Këto masa e kanë lejuar Gjykatën të përfundojë një numër të madh çështjesh të papërfunduara përpara saj.
414. Aktualisht, të papërfunduara përpara Gjykatës janë vetëm disa kërkesëpadi të ngjashme të paraqitura nga “persona të fshirë”, mirëpo, në kontekstin e shkeljeve sistemore, strukturore apo të ngjashme me to, fluksi i çështjeve që mund të paraqiten në të ardhmen është gjithashtu një element të cilin Gjykata ka rëndësi ta marrë parasysh, me qëllim që ta parandalojë pengimin e rolit të saj nga çështje që përsëriten. Për sa i takon marrjes së mendimit të palëve në procedurë rreth kësaj pike, të parashikuar në nenin 61 § 2 a) të Rregullores, Gjykata thekson se kjo dispozitë ka hyrë në fuqi më 1 prill 2011, pra shumë kohë pas kalimit të çështjes për para Dhomës së Madhe, çka nuk e ka bërë të mundur zbatimin e saj në rastin e çështjes në fjalë.
415. Gjykata vendos pra që t’i këshillojë Qeverisë së paditur, në bazë të nenit 61 § 3 të Rregullores së saj, se ajo duhet të krijojë, brenda një afati njëvjeçar, një sistem zhdëmtimi ad hoc në nivelin e brendshëm (shih, mutatis mutandis, Hutten-Czapska, i cituar më lart, § 239, dhe Xenides-Arestis k. Turqisë (themel), nr. 46347/99, § 40, 22 dhjetor 2005). Në zbatim të nenit 61 § 6 a) të Rregullores, shqyrtimi i të gjitha kërkesëpadive të ngjashme do të shtyhet për më vonë, në pritje të marrjes së masave në fjalë për zhdëmtim.
VI. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
416. Sipas nenit 41 të Konventës,
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
417. Paditësit kërkojnë zhdëmtime si për dëm material ashtu edhe për dëm moral si dhe kompensimin e kostove dhe shpenzimeve të paguara përpara gjykatës. Qeveria i kundërshton këto kërkesa.
A. Tezat e palëve
1. Paditësit
418. Paditësit mbrojnë mendimin që pikëpamja e Qeverisë se ata duhet t’i paraqesin fillimisht kërkesat e tyre për zhdëmtim përpara juridiksioneve të brendshme ose përpara Prokurorisë së Përgjithshme është pa bazë (ata citojnë Barberà, Messegué e Jabardo k. Spanjës (neni 50), 13 qershor 1994, § 17, seria A nr. 285‑C). Pranueshmëria e kërkesave për shpërblim të drejtë nuk iu nënshtruaka ushtrimit paraprak të mjeteve të brendshme për zgjidhje. Kjo qenka veçanërisht e vërtetë kur, si në rastin e kësaj çështjeje, u paka haptazi që mjetet në fjalë nuk u ofrojnë dot palëve të dëmtuara një mënyrë të shpejtë e të thjeshtë për të marrë një zhdëmtim në para.
419. Përpara Dhomës së Madhe, paditësit i kanë përditësuar kërkesat e tyre për shpërblim të drejtë. Ata të cilët nuk kanë asnjë të ardhur kërkojnë një shumë që përkon me ndihmat sociale dhe për strehim që do të kishin marrë nëse nuk do të kishte ndodhur “fshirja”.
Paditësit kërkojnë shumat e mëposhtme për dëm material:
– Z. Kurić: 37 929,85 EUR;
– Znja Mezga: 58 104,03 EUR;
– Z. Ristanović: 15 698,07 EUR;
– Z. Berisha: 104 174,25 EUR;
– Z. Sadik: 41 374,95 EUR;
– Z. Minić: 40 047,24 EUR.
420. Për sa i përket dëmit moral që ata çmojnë se u është shkaktuar, paditësit deklarojnë se “fshirja” ka sjellë pasoja tejet të rënda për ta dhe ka shkaktuar tronditje serioze e të përmasave të mëdha në jetën e tyre: status të parregullt, humbje të vendit të punës, kushte jetese të padenja për një qenie njerëzore dhe probleme shëndetësore për shumë prej tyre. Me pak fjalë, ata paskan përjetuar forma të ndryshme vuajtjeje të pranuara nga jurisprudenca e Gjykatës: dhimbje dhe ndjenja të thella lëkundjeje e pasigurie për sa i përket të ardhmes për një periudhë tejet të gjatë, ankth të shkaktuar nga rreziku i dëbimit, dhe ndjenjë të fortë angështie dhe trishtimi për arsye të qëndrimeve ksenofobe dhe të mungesës së zgjidhjeve efektive. Sipas tyre, zhdëmtimi për dëm moral u dashka llogaritur që nga shkurti 1999, datë e vendimit të parë të Gjykatës Kushtetuese. Ata kërkojnë shumat e mëposhtme:
– Z. Kurić: 147 822 EUR;
– Znja Mezga: 151 986 EUR;
– Z. Ristanović: 151 986 EUR;
– Z. Berisha: 146 781 EUR;
– Z. Sadik: 154 068 EUR;
– Z. Minić: 154 068 EUR.
421. Në fund, paditësit kërkojnë 49 975,82 EUR, plus TVSh e tatime të tjera (ose 62 369,82 EUR), për kosto e shpenzime të paguara përpara Gjykatës. Ata theksojnë se, duke pasur parasysh rrethanat e pazakonta të çështjes dhe varfërinë e skajshme në të cilën jetojnë, përfaqësuesit e tyre kanë pranuar të heqin dorë nga honorarët e tyre në rast se Gjykata do t’ua rrëzonte kërkesat. Për pasojë, ata nuk paskan kryer ende asnjë pagesë dhe nuk mund të paraqesin kështu asnjë dokument përkatës.
2. Qeveria
422. Qeveria vë në dukje se asnjë nga paditësit nuk ka kërkuar zhdëmtim përpara juridiksioneve të brendshme. Vetëm Z. Berisha dhe Z. Minić paskan paraqitur pranë Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë të pjesshme për zhdëmtim, e cila qenka rrëzuar.
B. Vendimi i Dhomës
423. Dhoma ka çmuar se çështja e zbatimit të nenit 41 të Konventës nuk ishte gati për vendim dhe e mban rezervë për ta shqyrtuar në tërësi (paragrafët 422-423 të vendimit të Dhomës dhe pika 7 e vendimit të saj përfundimtar).
C. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
1. Dëmi material
424. Në rrethanat e çështjes në fjalë, Gjykata çmon se pika lidhur me zhdëmtimin për dëm material nuk është gati për vendim. Prandaj, ajo e mban rezervë dhe do ta caktojë procedurën e mëtejshme duke marrë parasysh mundësinë që Qeveria dhe paditësit të arrijnë në një marrëveshje dhe në dritën e çdo mase me karakter individual ose të përgjithshëm që mund të marrë Qeveria në zbatim të këtij vendimi (nenet 61 § 7 dhe 75 § 1 të Rregullores).
2. Dëmi moral
425. Duke pasur parasysh natyrën e shkeljeve të vëna re në rastin e çështjes në fjalë dhe vuajtjet e përjetuara nga paditësit, Gjykata është e prirë t’i pranojë pjesërisht kërkesat e tyre dhe t’i caktojë me barazi, për dëm moral, 20 000 EUR secilit nga paditësit që e ka fituar gjyqin (Z. Kurić, Znjës Mezga, Z. Ristanović, Z. Berisha, Z. Ademi et Z. Minić).
3. Kosto dhe shpenzime
426. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një paditës mund ta fitojë kompensimin e kostove dhe shpenzimeve të tij vetëm për aq sa quhen të provuar vërtetësia, domosdoshmëria dhe, për më tepër, karakteri i arsyeshëm i shumës së tyre (shih, për shembull, Iatridis k. Greqisë (shpërblim i drejtë) [DhM], nr. 31107/96, § 54, GjEDNj 2000‑XI).
427. Gjykata shënon se çështja ka kërkuar analizimin e njëfarë numri elementesh faktike dhe dokumentare si edhe një punë relativisht të madhe kërkimore dhe përgatitore. Duke mos dyshuar për vërtetësinë e shumave të paguara, ajo çmon se shuma e përgjithshme e kërkuar për kosto e shpenzime lidhur me procedurën e ndjekur para saj është e tepruar. Meqenëse çështjet juridike që ngre kërkesëpadia janë të ngjashme për të gjithë paditësit, Gjykata vendos t’u caktojë atyre shumën e përgjithshme prej 30 000 EUR.
4. Kamatëvonesat
428. Gjykata e gjykon si të përshtatshme që ta bazojë përqindjen e kamatëvonesave te përqindja e interesit të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane, të rritur me tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
(...)
3. Thotë, njëzëri, se Z. Kurić, Znja Mezga, Z. Ristanović, Z. Berisha, Z. Ademi dhe Z. Minić mund të pretendojnë se janë “viktima”, sipas nenit 34 të Konventës, për shkeljet e përmendura të së drejtave të tyre që rrjedhin nga Konventa;
(...)
6. Thotë, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës;
(...)
8. Thotë, njëzëri, se ka pasur shkelje të nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës;
9. Thotë, njëzëri, se shteti i paditur duhet që, brenda një afati njëvjeçar duke filluar nga shpallja e këtij vendimi, të krijojë një sistem zhdëmtimi ad hoc në nivelin e brendshëm (paragrafi 415 i mësipërm) ;
10. Thotë, njëzëri, se, për sa i përket dëmit material të shkaktuar nga shkeljet e vëna re në këtë çështje, pika lidhur me zbatimin e nenit 41 nuk është gati për vendim dhe, për këtë arsye,
a) e mban rezervë për këtë qëllim;
b) fton Qeverinë dhe paditësit që t’i parashtrojnë me shkrim, brenda tre muajsh, vërejtjet e tyre rreth pikës së lartpërmendur e, sidomos, që ta bëjnë me dije për çdo marrëveshje që ata mund të arrijnë;
c) e mban rezervë procedurën e mëtejshme dhe ia delegon kryetarit të Gjykatës përkujdesjen për ta caktuar atë në rast nevoje.
11. Thotë, njëzëri,
a) se shteti i paditur duhet të paguajë, brenda tre muajsh, shumat e mëposhtme:
i. 20 000 EUR (njëzet mijë euro) përkatësisht për Z. Kurić, Znjën Mezga, Z. Ristanović, Z. Berisha, Z. Ademi dhe Z. Minić për dëm moral, plus çdo shumë që mund të duhet si vlerë tatimi mbi këto shuma;
ii. 30 000 EUR (tridhjetë mijë euro) paditësve së bashku, plus çdo shumë që mund të duhet si vlerë tatimi mbi këtë shumë, për kosto e shpenzime;
b) se, duke nisur nga përfundimi i afatit të lartpërmendur e deri në derdhjen e tyre, këto shuma do të shtohen me një interes të thjeshtë në përqindje të barabartë me atë të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, të shtuar me tri pikë përqindjeje;
12. Rrëzon, njëzëri, pretendimin për pjesën shtesë të kërkesave të formuluara nga paditësit në bazë të nenit 41 për dëm moral dhe për kosto e shpenzime.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 26 qershor 2012.
Vincent BergerNicolas Bratza
Këshilltar juridikKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i gjyqtarit Zupančič;
– mendim pjesërisht pajtues e pjesërisht kundërshtues i gjyqtarit Vučinić;
– mendim pjesërisht kundërshtues i përbashkët i gjyqtarëve Bratza, Tulkens, Spielmann, Kovler, Kalaydjieva, Vučinić dhe Raimondi;
– mendim pjesërisht kundërshtues i gjyqtarit Costa;
– mendim pjesërisht kundërshtues i përbashkët i gjyqtarëve Kovler dhe Kalaydjieva.
N.B.
V.B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy