© Translated for Hudoc by Venera KABASHI, human rights lawyer focusing on ECtHR’s case-law in respect the Western Balkans countries.
SEKSIONI I TRETË
ÇËSHTJA ILIA K. SHQIPËRISË
(Aplikimi nr. 22824/20)
Aktgjykim
Vendim
STRASBURG
15 korrik 2025
Ky vendim është përfundimtar, por mund t’i nënshtrohet ndryshimeve redaktoriale.
Në çështjen Ilia k. Shqipërisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Tretë), duke gjykuar si Komitet i përbërë nga:
Úna Ní Raifeartaigh, Kryetare,
Darian Pavli,
Mateja Đurović, gjyqtarë,
dhe Olga Chernishova, Zëvendës Sekretare e Seksionit,
Duke pasur parasysh:
aplikimin (nr. 22824/20) kundër Republikës së Shqipërisë të paraqitur në Gjykatë sipas Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") më 7 maj 2020 nga një shtetas shqiptar, Z. Bledar Ilia ("kërkuesi"), i cili ka lindur në vitin 1979, jeton në Tiranë dhe u përfaqësua nga z. A. Kasapi, avokat në Tiranë;
vendimin për t’i komunikuar Qeverisë Shqiptare (“Qeveria”), e përfaqësuar nga Agjenti i tyre, z. O. Moçka, Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, ankesën në lidhje me mungesën e qasjes së ankuesit në Gjykatën Kushtetuese dhe për të shpallur të papranueshme pjesën tjetër të aplikimit te tij;
parashtresat e palëve;
Pasi e shqyrtoi çështjen me dyer të mbyllura më 24 qershor 2025,
Jep vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në atë datë:
FAKTET E ÇËSHTJES
1. Aplikimi ka të bëjë me një mosmarrëveshje pune; ankuesi kundërshtoi ndërprerjen e kontratës së tij te punës me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. [Përpara GjEDNj] Ankuesi u ankua për mungesën e qasjes në Gjykatën Kushtetuese.
2. Pasi padia e ankuesit u rrëzua në shkallën e parë dhe të dytë, ai paraqiti një rekurs në Gjykatën e Lartë në korrik 2014.
3. Më 8 nëntor 2016 Ligji nr. 99/2016 datë 6 nëntor[[1]] 2016 u botua në Fletoren Zyrtare. Ai shkurtoi afatin për paraqitjen e një ankese kushtetuese nga dy vjet në katër muaj "nga konstatimi i cenimit". Afati i ri zbatohej duke filluar nga data 1 mars 2017.
4. Më 19 dhjetor 2017 Gjykata e Lartë vendosi në dhomë këshillimi mospranimin e rekursit të ankuesit. Ankuesi paraqiti një kopje të vendimit të Gjykatës së Lartë, me një vulë që tregonte se ishte “tërhequr më 9 maj 2018” nga ankuesi.
5. Më 6 shtator 2018 ankuesi paraqiti një ankesë kushtetuese. Ajo u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese më 14 janar 2020 pasi ishte paraqitur jashtë afatit katër mujor, i llogaritur nga data e miratimit të vendimit të kundërshtuar nga Gjykata e Lartë. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se vula në vendimin e Gjykatës se Lartë që tregonte se ankuesi e kishte “tërhequr më 9 maj 2018” atë, nuk mund të shihej si provë se ai vendim i ishte dorëzuar ankuesit në atë datë, sepse sa herë që një palë kërkonte të merrte vendimin e Gjykatës së Lartë, një shënim i tillë vendosej në vendim me datën e dorëzimit.
vlerësimi i gjykatës
shkelja e pretenduar e Nenit 6 § 1 të Konventës
6. Gjykata vëren se kjo ankesë nuk është haptazi e pabazuar në kuptimin e Nenit 35 § 3 (a) të Konventës ose e papranueshme për ndonjë arsye tjetër. Prandaj, ajo duhet të shpallet e pranueshme.
7. Parimet e përgjithshme në lidhje me qasjen në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe afatin e ri katër-mujor për paraqitjen e një ankese kushtetuese janë përmbledhur në çështjen Supergrav Albania Shpk k. Shqipërisë (nr. 20702/18, §§ 16 dhe 22, 9 maj 2023). Në atë çështje, Gjykata gjeti shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës pasi afati për paraqitjen e një ankese kushtetuese ishte llogaritur nga data kur vendimi i kundërshtuar i Gjykatës së Lartë ishte miratuar dhe jo nga data kur ai i ishte dorëzuar ankuesit (ibid., §§ 17-31).
8. Në rastin konkret, ankuesi mori dijeni për vendimin e Gjykatës së Lartë më 9 maj 2018 dhe e paraqiti ankesën e tij kushtetuese më 6 shtator 2018, brenda afatit katër-mujor.
9. Gjykata vëren gjithashtu se Gjykata Kushtetuese gjeti që sa herë që një palë kërkonte t’i dorëzohej vendimi i Gjykatës së Lartë, në atë vendim vendosej një vulë me datën e dorëzimit. Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo nuk vërtetonte se vendimi nuk i ishte dorëzuar asaj pale më parë. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk sqaroi se në çfarë mënyre një palë mund të sillte provën për datën e njoftimit fillestar (krahaso Aždajić k. Sllovenisë, nr. 71872/12, § 69, 8 tetor 2015) ose pse një palë e vetme duhet të ketë barrën e provës në këtë drejtim. Gjykata konsideron se i takon kryesisht Gjykatës së Lartë të sigurohet që në dosjen e çështjes të ketë prova për datën e dorëzimit të vendimit tek palët (shih, mutatis mutandis, Zela k. Shqipërisë, nr. 33164/11, § 38, 11 qershor 2024).
10. Në rrethanat e mësipërme, Gjykata arrin në përfundimin se ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës përkitazi me të drejtën e ankuesit për qasje në Gjykatën Kushtetuese.
zbatimi i Nenit 41 te Konventës
11. Ankuesi kërkoi 5,600 euro (EUR) si shpërblim për dëmin pasuror dhe jo pasuror dhe 5,300 euro (EUR) për kostot dhe shpenzimet e bëra ne procedurën para Gjykatës.
12. Qeveria i kundërshtoi këto pretendime.
13. Gjykata nuk dallon ndonjë lidhje shkak-pasojë midis shkeljes së gjetur dhe dëmit pasuror të pretenduar; rrjedhimisht kjo pjesë e pretendimit refuzohet. Megjithatë, Gjykata i njeh ankuesit të drejtën shpërblimit me 3,600 euro për dëmin jo pasuror, plus çdo tatim që mund t’i zbatohet kësaj shume.
14. Duke pasur parasysh dokumentet në zotërim të saj, Gjykata e konsideron të arsyeshme te njohë të drejtën e ankuesit për rimbursimin e shumës 2,000 euro për kostot dhe shpenzimet e procedurës para Gjykatës, plus çdo taksë që mund t’i zbatohet kësaj shume.
për këto arsye, gjykata, njëzëri,
E deklaron aplikimin të pranueshëm;Vendos se ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës;Vendos që(a) Shteti i paditur t’i paguajë ankuesit, brenda tre muajve, shumat e mëposhtme, të cilat do të konvertohen në monedhën e Shtetit të paditur me kursin e zbatueshëm në datën e pagesës:
(i) 3,600 EUR (tre mijë e gjashtëqind euro), plus çdo taksë që mund të zbatohet, në lidhje me dëmin jo pasuror;
(ii) 2,000 EUR (dy mijë euro), plus çdo taksë që mund të zbatohet, në lidhje me kostot dhe shpenzimet;
(b) që nga përfundimi i afatit tre mujor të lartpërmendur deri në datën e pagesës, një interes i thjeshtë do të paguhet mbi shumat e mësipërme me një normë të barabartë me normën margjinale të huadhënies së Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mos pagesës plus tre pikë përqindjeje;
Rrëzon pjesën tjetër të kërkesës së ankuesit për dëmshpërblim.Hartuar në anglisht dhe njoftuar me shkrim më 15 korrik 2025, në përputhje me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Olga Chernishova Úna Ní Raifeartaigh
Zëvendës Sekretare e Seksionit Kryetare
[1] Sic – tetor.