© Legal summary prepared for HUDOC by Venera Kabashi, human rights lawyer focusing on the ECtHR case-law for Western Balkan countries.
Përmbledhje juridike e përgatitur për HUDOC nga Venera Kabashi, juriste e të drejtave të njeriut e fokusuar në jurisprudencën e GjEDNJ mbi vendet e Ballkanit perëndimor.
November/nëntor 2025
____________________________________________________________________________________
Lasku dhe të tjerë k. Shqipërisë [komitet], 18 nëntor 2025, nr. 6045/14
Neni 6 § 1 (siguria juridike); Neni 1 i Prot. nr. 1 (e drejta e pronës)
Faktet – Përmes tre vendimeve të marra gjatë viteve 1996-97 Komisioni i Tiranës për kthimin dhe kompensimin e pronave (“Komisioni”) i njohu dhe i ktheu ankuesve pronësinë mbi një tokë prej përafërsisht 1000 metrash.
Pas rreth 10 viteve, më 2007 Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave i anuloi vendimet e mësipërme me arsyetimin se toka e kthyer ndodhej në një zonë turistike dhe Komisioni nuk kishte kompetencë ta kthente atë tek ankuesit. Përpara gjykatave vendase ankuesit pretenduan, pa sukses, se një anulim i tillë i vendimeve të Komisionit të cilat kishin marrë formë të prerë, binte ndesh me parimin e sigurisë juridike dhe të drejtën e tyre të pronës.
Ne vitin 2014 autoritetet vendase i shitën një pjesë të tokës një pale të tretë private e cila pasi kishte ngritur një ndërtesë të paligjshme mbi të, e kishte legalizuar atë.
Ligji – GjEDNj arriti në përfundimin se anulimi i vendimeve te Komisionit rreth 10 vjet pasi ato kishin marrë formë të prerë, nuk mbështetej në arsye përmbajtjesore dhe bindëse (substantial and compelling reasons) pasi:
- Gjykatat vendase nuk kishin dhënë shpjegime të mjaftueshme se toka gjendej në një zonë turistike;
- Nuk kishte dyshime për vërtetësinë e dokumenteve ku mbështetej pretendimi pronësor i ankuesve dhe as për mirëbesimin e tyre;
- Toka në fjalë në çdo rast iu shit një pale private në vitin 2014.
Përfundimi: shkelje e Nenit 6§1 dhe Nenit 1 të Protokollit nr. 1;
Mjetet për të adresuar shkeljen: Nëse rikthimi i plotë i pronës tek ankuesit rezulton i pamundur, ankuesit duhen të kompensohen me vlerën aktuale të saj.
Shpërblimi për dëmin jo pasuror: 3,600 euro; shpenzime avokati: 3,000 Euro.