© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për informacione të mëtejshme shiko të dhënat e plota për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyrights/droits d’auteur à la fin du present document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA LAUTSI DHE TË TJERË k. ITALISË
(Kërkesë nr. 30814/06)
VENDIM
STRASBURG
18 Mars 2011
Ky vendim është i formës së prerë, por mund të rishikohet nga ana redaktoriale.
Në çështjen Lautsi dhe të Tjerë k. Italisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në seancë gjyqësore si Dhomë e Madhe e përbërë nga:
Jean-Paul Costa, President,
Christos Rozakis,
Nicolas Bratza,
Peer Lorenzen,
Josep Casadevall,
Giovanni Bonello,
Nina Vajić,
Rait Maruste,
Anatoly Kovler,
Sverre Erik Jebens,
Päivi Hirvelä,
Giorgio Malinverni,
George Nicolaou,
Ann Power,
Zdravka Kalaydjieva,
Mihai Poalelungi,
Guido Raimondi, gjyqtarë,
dhe Erik Fribergh, Regjistrues,
Pas shqyrtimit të çështjes në seancë të mbyllur më 30 Qershor 2010 dhe më 16 Shkurt 2011,
Merr vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të lart-përmendur:
PROÇEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në një kërkesë (nr. 30814/06) kundër Republikës Italiane në bazë të Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”) nga një shtetase Italiane, Znj. Soile Lautsi (“kërkuesja e parë”) më 27 Korrik 2006. Në kërkesën e saj, ajo deklaronte se vepronte në emër të saj dhe në emër të fëmijëve të saj, Dataico dhe Sami Albertin, në atë kohë të mitur. Këta të fundit, të cilët tashmë janë në moshë madhore, konfirmuan se dëshironin të mbeteshin kërkues (“kërkuesi i dytë dhe i tretë”).
2. Kërkuesit u përfaqësuan nga Z. N. Paoletti, jurist në Romë. Qeveria italiane u përfaqësua nga Agjentja e qeverisë, Znj. E. Spatafora, dhe dy Zv. bashkë-Agjentët, Z. N. Lettieri dhe Znj. P. Accardo.
3. Kërkesa iu caktua Seksionit të Dytë të Gjykatës (Rregulli 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 1 Korrik 2008 një Dhomë e këtij Seksioni, e përbërë nga gjyqtarët e mëposhtëm: Françoise Tulkens, Antonella Mularoni, Vladimiro Zagrebelsky, Danutė Jočienė, Dragoljub Popović, András Sajó dhe Işıl Karakaş, vendosën të njoftonin Qeverinë në lidhje me kërkesën; në zbatim të dispozitave të Nenit 29 § 3 të Konventës, ajo vendosi gjithashtu për shqyrtimin njëkohësisht të pranueshmërisë dhe themelit të kërkesës.
4. Më 3 Nëntor 2009, një Dhomë nga i njëjti Seksion, përbërë nga gjyqtarët: Françoise Tulkens, President, Ireneu Cabral Barreto, Vladimiro Zagrebelsky, Danutė Jočienė, Dragoljub Popović, András Sajó dhe Işıl Karakaş, e deklaroi kërkesën të pranueshme dhe u shpreh njëzëri për shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1, marrë në lidhje me Nenin 9 të Konventës, dhe se nuk ishte i nevojshëm shqyrtimi i ankesës në bazë të Nenit 14 të Konventës.
5. Më 28 Janar 2010, Qeveria kërkoi që çështja t’i referohej Dhomës së Madhe në bazë të Nenit 43 të Konventës dhe Rregullit 73. Më 1 Mars 2010 kërkesa u pranua nga një panel i Dhomës së Madhe.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në bazë të dispozitave të Nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe Rregullit 24.
7. Kërkuesit dhe Qeveria paraqitën secili komente të tjera me shkrim në lidhje me themelin.
8. Leja për ndërhyrje në procedurën me shkrim (Neni 36 § 2 i Konventës dhe Rregulli 44 § 2) iu dha tridhjetë e tre anëtarëve të Parlamentit Evropian, të cilët vepronin së bashku, organizatës jo qeveritare Greek Helsinki Monitor, e cila kishte ndërhyrë më parë përpara Dhomës, organizatës jo qeveritare Associazione nazionale del libero Pensiero, organizatës joqeveritare European Centre for Law and Justice, organizatës jo qeveritare Eurojuris, organizatave jo qeveritare International Committee of Jurists, Interights dhe Human Rights Watch, të cilët vepronin sëbashku, organizatave jo qeveritare Zentralkomitee der deutschen Katholiken, Semaines sociales de France dhe Associazioni cristiane lavoratori italiani, që vepronin në mënyrë kolektive, dhe Qeverive të Armenisë, Bullgarisë, Qipros, Federatës Ruse, Greqisë, Lituanisë, Maltës, Monakos, Rumanisë dhe Republikës së San Marinos.
Qeverive të Armenisë, Bullgarisë, Qipros, Federatës Ruse, Greqisë, Lituanisë, Maltës, dhe Republikës së San Marinos iu dha gjithashtu leja të ndërhynin kolektivisht në procedurën me gojë.
9. Më 30 Qershor 2010, u mbajt një seancë e hapur në Godinën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, (Rregulli 59 § 3).
Përpara Gjykatës u paraqitën:
(a) për Qeverinë e paditur
Z.Nicola Lettieri,bashkë-Agjent,
Z.Giuseppe Albenzio,Këshilltar;
(b) për kërkuesit
Z.Nicolò Paoletti,Avokat,
Znj.Natalia Paoletti,
Znj.Claudia Sartori,Këshilltare;
(c) për Qeveritë e Armenisë, Bullgarisë, Qipros, Federatës Ruse, Greqisë, Lituanisë, Maltës, dhe Republikës së San Marinos, ndërhyrësit e palës së tretë:
Z.Joseph Weiler, Profesor it ë Drejtës, Universiteti i Nju Jorkut, Avokat,
Z.Stepan Kartashyan, Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i Armenisë në Këshillin e Europës,
Z.Andrey Tehov, Ambasador, Përfaqësues i Përhershëm i Bullgarisë në Këshillin e Europës,
Z.Yannis Michilides, Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i Qipros në Këshillin e Europës,
Znj.Vasileia Pelekou, Zëvendës Përfaqësuese e Përherëshme e Greqisë në Këshillin e Europës,
Z.Darius Šimaitis, Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i Lituanisë në Këshillin e Europës,
Z.Joseph Licari, Ambasador, Përfaqësues i Përhershëm i Maltës në Këshillin e Europës,
Z.Georgy Matyushkin, Agjenti i Qeverisë së Federatës Ruse,
Z.Guido Bellatti Ceccoli, bashkë-Agjent i Qeverisë së Republikës së San Marinos, Këshilltarë.
Gjykata dëgjoi prezantimet e Z. Nicolò Paoletti, Znj. Natalia Paoletti, Z. Lettieri, Z. Albenzio dhe Z. Weiler.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
10. Kërkuesja e parë dhe dy djemtë e saj, Dataico dhe Sami Albertini, edhe këta kërkues, kanë lindur respektivisht në vitin 1957, 1988 dhe 1990. Ata janë banues në Itali. Në vitin shkollor 2001-2002, Dataico dhe Sami ndiqnin Istituto Comprensivo Statale Vittorino da Feltre, një shkollë shtetërore në Abano Terme. Në murin e çdo klase në shkollë varej një kryq me krishtin e kryqëzuar.
11. Më 22 Prill 2002 gjatë një takimi me drejtuesit e shkollës, burri i kërkueses së parë ngriti çështjen e pranisë së simboleve fetare në klasë, duke përmendur veçanërisht kryqin, dhe shtroi pyetjen nëse duheshin hequr. Më 27 Maj 2002, me dhjetë vota kundrejt dy dhe një abstenim, drejtuesit e shkollës vendosën t’i mbanin simbolet fetare nëpër klasa.
12. Më 23 Korrik 2002, kërkuesja e parë e kundërshoi këtë vendim në Gjykatën Administrative të Venetos, duke u ankuar për shkelje të së drejtës për shekullarizëm, në bazë të Nenit 3 (parimi i barazisë) dhe 19 (liria fetare) të Kushtetutës Italiane, Nenit 9 i Konventës, dhe parimit të paanshmërisë së autoriteteve administrative publike (Neni 97 i Kushtetutës).
13. Më 3 Tetor 2002 Ministri i Arsimit, Universiteteve dhe Kërkimit Shkencor miratoi Direktivën nr. 2666, ku udhëzonte shërbimet kompetente të Ministrisë që ai drejtonte të merrnin masat e nevojshme në mënyrë që drejtuesit e shkollave të siguronin praninë e kryqit në klasa (shiko paragrafin 24 poshtë).
Më 30 Tetor 2003 Ministri mori pjesë në procesin gjyqësor të hapur nga kërkuesja e parë. Ai argumentoi se kërkesa e saj ishte e pabazuar, pasi prania e kryqit në klasat e shkollave publike bazohej në Nenin 118 të dekretit mbretëror nr. 965 të 30 Prillit 1924 (rregullore e brendëshme e shkollave të mesme) dhe Nenin 119 të dekretit mbretëror nr. 1297 të 26 Prillit 1928 (miratim i rregullores së përgjithshme të arsimit fillor; shiko paragrafin 19 poshtë).
14. Me anë të një vendimi të datës 14 Janar 2004, Gjykata Administrative ia referoi Gjykatës Kushtetuese çështjen e kushtetueshmërisë në lidhje me parimin e karakterit shekullar të Shtetit dhe Nenet 2, 3, 7, 8, 19 dhe 20 të Kushtetutës, nenet 159 dhe 190 të dekretit legjislativ nr. 297 të 16 Prillit 1994 (që miratonte tekstin e njësuar që përmblidhte dispozitat legjislative në fuqi në lidhje me arsimin dhe shkollat), “specifikimet” e tyre që rridhnin nga Nenet 118 dhe 119 të dekreteve mbretërore të sipër-përmenduara, dhe Nenin 676 të të njëjtit dekret legjislativ.
Sipas Neneve 159 dhe 190 përgjegjësinë për blerjen dhe furnizimin me mobilje të shkollave elementare dhe të mesme e kanë bashkitë. Neni 119 i dekretit të viti 1928 specifikon se çdo klasë duhet të ketë një kryq dhe Neni 118 i dekretit të vitit 1924 specifikon se çdo klasë duhet të ketë një portret të mbretit dhe një kryq. Neni 676 i dekretit legjislativ nr. 297 përcakton se dispozitat e papërfshira në tekstin e njësuar mbesin në fuqi “me përjashtim të dispozitat në kundërshtim ose të papajtueshme me tekstin e njësuar, të cilat shfuqizohen”.
Me një vendim të 15 Dhjetorit 2004 (nr. 389), Gjykata Kushtetuese e deklaroi qartësisht të papranueshme çështjen e kushtetueshmërisë për shkak se, në të vërtetë, ajo kishte të bënte me tekste që, duke mos patur statusin e ligjit, por vetëm të rregullores (Nenet 118 dhe 119 të sipër-permenduara), nuk mund të përbënin subjekt për rishikim kushtetueshmërie.
15. Më 17 Mars 2005, Gjykata Administrative e hodhi poshtë kërkesën. Pasi mori vendimin se Neni 118 i dekretit mbretëror të 30 Prillit 1924 dhe Neni 119 i dekretit mbretëror të 26 Prillit 1928 ishin ende në fuqi dhe theksoi se “parimi i natyrës shekullare të Shtetit [ishte] tashmë pjesë e trashëgimisë ligjore të Europës dhe demokracive perëndimore”, ajo u shpreh se prania e kryqit në klasat e shkollave shtetërore, duke marrë parasysh kuptimin që ajo kishte për qëllim të përcillte, nuk përbënte shkelje të këtij parimi. Ajo iu referua, veçanërisht, pikëpamjes se, megjithëse kryqi ishte në mënyrë të pamohueshme një symbol fetar, ai ishte më shumë një simbol i Krishtërimit, se sa vetëm i Katoliçizmit, ndaj dhe shërbente si një pikë reference për besimet e tjera. Ajo shprehej më tej se kryqi ishte një simbol historik dhe kulturor, duke patur në këtë mënyrë një “vlerë identitare” për popullin Italian, pasi “përfaqëson[te] në njëfarë mënyre zhvillimin historik dhe kulturor karakteristik të [Italisë] dhe përgjithësisht të të gjithë Europës, dhe [ishte] një sintezë e mirë e atij zhvillimi”. Gjykata Administrative u shpreh më tej se kryqi duhej konsideruar, gjithashtu, edhe si një simbol i një sistemi vlerash që qëndronte në bazë të Kushtetutës Italiane. Ajo dha arsyet e mëposhtme:
“... 11.1. Në këtë fazë, Gjykata duhet të mbajë parasysh, edhe pse e di se po ndjek një rrugë të vështirë e vende vende në terren të rrëshqitshëm, se Krishtërimi dhe vëllai i tij më i madh Xhudaizmi – të paktën që nga Moisiu e sigurisht në interpretimin talmudik – në qendër të besimit të tyre kanë vënë tolerancën ndaj të tjerëve dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
Në mënyrë të veçantë, Krishtërimi – për shembull me anë të shprehjes së mirë-njohur e shpesh të keqkuptuar “Jepi Çezarit çfarë është e Çezarit, dhe ...” – duke e vënë theksin me forcë tek dashuria për fqinjin e, akoma më shumë, duke i dhënë epërsi bamirësisë në raport me besimin vetë, i përmban në substancë idetë e tolerancës, barazisë dhe lirisë që krijojnë bazën e Shtetit modern shekullar e në veçanti të Shtetit Italian.
11.2 Po të shohim përtej asaj që duket, është e mundur të shquajmë fillin që lidh revolucionin kristian të dy mijë viteve më parë me afirmimin në Europë të së drejtës së personit për liri dhe me elementët kyç të Rilindjes (edhe pse ajo lëvizje, në terma historike, ishte në kundërshtim të fuqishëm me fenë), si liria e çdo individi, deklarata e të drejtave të njeriut dhe sigurisht Shteti modern shekullar. Të gjitha fenomenet historike të përmendura bazohen në një shkallë të gjerë – edhe pse sigurisht jo eksklusivisht – në konceptimin kristian të botës. Me të drejtë është vërejtur se thirrja “liri, barazi, vëllazëri” fare mirë mund të jetë thirrja e çdo kristiani, megjithëse duke e vënë theksin tek fjala e tretë.
Si përfundim, nuk e teprojmë po të themi se, nëpër gjithë ato ulje e ngritje të historisë europiane, natyra shekullare e Shtetit modern është fituar me një çmim të lartë dhe shpesh është nxitur, edhe pse jo eksklusivisht, duke iu referuar pak a shumë me vetëdije vlerave themeltare të Krishtërimit. Kjo shpjegon përse në Europë e Itali, shumë juristë të besimit kristian kanë qenë ndër mbështetësit më të fortë të Shtetit shekullar ...
11.5 Lidhja midis Krishtërimit dhe lirisë nënkupton një koherencë historike logjike që nuk është menjëherë e dukshme – si një lum në një pejsazh karstik të zbuluar vetëm rishtazi, pikërisht sepse në pjesën e tij më të madhe ai rrjedh nën sipërfaqen e tokës – pjesërisht sepse në marrëdhëniet gjithmonë në ndryshim midis Shteteve dhe Kishave të Europës është shumë më e lehtë të shohësh përpjekjet e shumta të Kishave për t’u përzier me çështjet e Shtetit dhe vice versa, ashtu si edhe rastet e shumta kur idealet e krishtera janë braktisur, edhe pse të shpallura zyrtarisht, në kërkim të pushtetit apo kur qeveritë dhe autoritetet fetare janë përplasur mes tyre, ndonjëherë në mënyrë të dhunshme.
11.6 Veç kësaj, duke përfituar nga perceptimet retrospektive, fare lehtë mund të identifikosh në zemër të besimit kristian, pavarësisht inkuizicionit, pavarësisht anti-semitizmit e pavarësisht kryqëzatave, parimet e dinjitetit njerëzor, tolerancën dhe lirinë, përfshirë lirinë fetare, e kështu vetë themelet e Shtetit shekullar, në fund të fundit.
11.7 Duke e studiuar me kujdes historinë nga një distancë e përshtatshme, jo nga shumë afër, mund të perceptojmë qartazi një afëri (por jo identitet) midis “thelbit” të Krishtërimit i cili duke vënë bamirësinë mbi gjithshka tjetër, përfshirë besimin, e vë theksin tek pranimi i të ndryshmes, dhe “thelbit” të Kushtetutës së republikës që përmes frymës së solidaritetit i jep vlerë lirisë për të gjithë e kështu përmban garancinë ligjore të respektit për të tjerët. Harmonia mbetet, edhe pse rrotull këtyre thelbeve – të dy të përqendruara tek dinjiteti njerëzor - me kalimin e kohës ka patur grumbullime të shumta elementësh të jashtëm, disa prej të cilëve aq të ngjeshur sa edhe e kanë errësuar këtë thelb, veçanërisht thelbin e krishtërimit. ...
11.9 Ndaj mund të pretendohet se në realitetin e sotëm social, kryqi duhet konsideruar jo vetëm si një simbol i një zhvillimi historik e kulturor e kështu edhe i identitetit të popullit tonë, por edhe si simboli i një sistemi vlerash: lirisë, barazisë, dinjitetit njerëzor dhe tolerancës fetare e po ashtu edhe i natyrës shekullare të Shtetit – parime që qëndrojnë në themel të Kushtetutës sonë.
Thënë ndryshe, parimet kushtetuese kanë shumë rrënjë që në mënyrë të pamohueshme përfshijnë Krishtërimin në thelbin e tij më të thellë. Ndaj dhe do të ishte paradoksale të përjashtoje shenjat e krishtërimit nga një institucion publik në emër të shekullarizmit, një prej burimeve të largëta të të cilit është feja e krishterë.
12.1 Kjo gjykatë është padyshim në dijeni të faktit se, në të shkuarën, simbolit të kryqit i janë atribuar edhe vlera të tjera, si për shembull në kohën e Statutit Albertin, ishte shenjë e Katoliçizmit të nënkuptuar si fe shtetërore, i përdorur, kësisoj, për kristianizimin dhe konsolidimin e pushtetit dhe autoritetit.
Veç kësaj, gjykata e di fort mirë se sot janë ende të mundura interpretime të ndryshme të shenjës së kryqit e, mbi të gjitha, një interpretim ngushtësisht fetar që i referohet Krishtërimit, në përgjithësi, dhe Katoliçizmit, në veçanti. Ajo e di gjithashtu se nxënës që shkojnë në shkollat shtetërore mund të ndjehen të lirë dhe në mënyrë legjitime t’i japin kryqit vlera që janë të ndryshme, ta shohin p. sh si shenjë e një preference të papranueshme për një fe në raport me të tjerët, apo si shkelje të lirisë individuale e për rrjedhojë të natyrës shekullare të Shtetit, ose, në një kufi ekstrem, si referencë ndaj një kontrolli politik të përkohshëm mbi një fe shtetërore apo si referencë ndaj inkuizicionit, ose deri edhe si një kupon katekizmi falas të shpërndarë heshturazi jo në vendin e duhur edhe tek jo-besimtarët, apo si propagandë të pandërgjegjshme në favor të besimit kristian. Edhe pse të gjitha këto pikëpamje janë të respektueshme, ato janë, në fund të fundit, të parëndësishme për çështjen në fjalë. ...
12.6 Duhet theksuar se simboli i kryqit, i kuptuar në këtë mënyrë, me referencën e tij ndaj vlerave të tolerances, mbart një kuptim të veçantë po të kemi parasysh se shkollat italiane shtetërore sot frekuentohen nga nxënës të shumtë nga jashtë Bashkimit Europian, tek të cilët është relativisht e rëndësishme të përcillen parimet e të qenurit i hapur ndaj diversitetit dhe të refuzimit të çdo forme fundamentalizmi – qoftë kjo shekullare apo fetare – parime këto që përshkojnë të gjithë sistemin tonë. Epoka jonë mbart shenjën e fermentit të krijuar nga takimi i kulturave të ndryshme me kulturën tonë dhe për ta shmangur shndërrimin e këtij takimi në një përplasje, është e domosdoshme të ripohojmë identitetin tonë, edhe simbolikisht, sidomos ngaqë ai karakterizohet pikërisht prej vlerave të respektit për dinjitetin e çdo qenie njerëzore dhe të solidaritetit universal. ...
13.2 Në fakt, simbolet fetare përgjithësisht nënkuptojnë një mekanizëm përjashtimi logjik, pasi pika e nisjes e çdo besimi fetar është pikërisht besimi në një entitet superior, gjë që shpjegon pse aderuesit e tyre, besimtarët, e shohin veten, me përkufizim dhe bindje, si pjesë të së vërtetës. Rrjedhimisht dhe në mënyrë të pashmangshme, qendrimi i besimtarit përballë dikujt që nuk beson e që si i tillë nënkuptohet të jetë kundërshtar i qenies supreme, është një qendrim përjashtues. ...
13.3 Mekanizmi logjik i përjashtimit të jo-besimtarit është diçka e natyrshme për çdo bindje fetare, edhe pse personat e interesuar mund të mos jenë të vetëdijshëm për një gjë të tillë, me përjashtim vetëm të Krishtërimit – ku kjo gjë kuptohet siç duhet, gjë që, sigurisht, as nuk ka qenë e as nuk është gjithmonë e vërtetë, falë edhe atyre që madje e quajnë veten të krishterë. Në Kristianizëm edhe besimi tek zoti i gjithëdijshëm është dytësor në raport me bamirësinë, domethënë në raport me respektin për tjetrin. Rrjedhimisht refuzimi i një personi jo të krishterë është dorëheqje radikale nga vetë Kristianizmi, një dorëheqje substantive; por kjo nuk është e vërtetë për besimet e tjera fetare, për të cilat një qendrim i tillë maksimumi konsiderohet shkelje e një parimi të rëndësishëm.
13.4 Kryqi si symbol i Krishtërimit, në këtë mënyrë, nuk mund të përjashtojë askënd pa mohuar vetveten; ai madje, në një kuptim, përbën shenjën universale të pranimit dhe respektimit të çdo qenie njerëzore si e tillë, pavarësisht çfarëdolloj besimi, fetar apo tjetër, që ai apo ajo mund të ketë. ...
14.1 Është gati e panevojshme të shtohet se shenja e kryqit në një klasë, kur kuptohet drejtë, nuk ka të bëjë me bindjet e lira të çdokujt, nuk përjashton askënd dhe sigurisht as nuk imponon e as rekomandon gjë, por vetëm nënkupton, në thelbin e qëllimeve të përcaktuara për arsimin dhe mësimdhënien në një shkollë publike, një reflektim – domosdoshmërisht nën drejtimin e ekipit pedagogjik – mbi historinë e Italisë dhe vlerat e përbashkëta të shoqërisë sonë të ritranskriptuara ligjërisht në Kushtetutë, ndër të cilat natyra shekullare e Shtetit zë vendin e nderit...”
16. Kërkuesja e parë e apeloi vendimin në Consiglio di Stato (Gjykata e Lartë Administrative), e cila konfirmoi se baza ligjore për praninë e kryqit në klasat e shkollave shtetërore gjendej në Nenin 118 të dekretit mbretëror të 30 Prillit 1924 dhe Nenin 119 të dekretit mbretëror të 26 Prillit 1928 dhe, duke patur parasysh kuptimin që i duhet dhënë atij, ishte në pajtueshmëri me parimin e shekullarizmit. Në lidhje me këtë, ajo konstatoi se, në Itali, kryqi simbolizon origjinën fetare të vlerave (toleranca, respekti reciprok, vlerësimi i personit, afirmimi i të drejtave të personit, konsiderimi i lirisë së personit, autonomia e vetëdijes morale të personit vis-à-vis autoritetit, solidariteti njerëzor dhe refuzimi i çdo forme diskriminimi) që karakterizojnë qytetërimin Italian. Në këtë kuptim, kryqi i ekspozuar në klasë mund të përmbushë – madje në një këndvështrim “shekullar” të dallueshëm nga këndvështrimi fetar të cilit ai i referohet në mënyrë specifike – një funksion simbolik tejet edukativ. Consiglio di Stato u shpreh se kryqi me krishtin e kryqëzuar ishte parë si një symbol i aftë për të reflektuar origjinat e shquara të vlerave të sipër përmendura, vlerat që përkufizojnë shekullarizmin në rendin e sotëm ligjor të Shtetit.
Në vendimin e tij (nr. 556) të datës 13 Prill 2006, Consiglio di Stato argumentoi si më poshtë:
“... Gjykata Kushtetuese ka pranuar në një numër rastesh se shekullarizmi është një parim suprem për rendin tonë kushtetues, i aftë për të zgjidhur çështje të caktuara të legjitimitetit kushtetues (mes vendimeve të shumta, shiko ato që kanë të bëjnë me dispozitat në lidhje me natyrën e detyrueshme të mësimeve fetare në shkollë ose juridiksionin e gjykatave për çështje që kanë të bëjnë me vlefshmërinë e martesave të lidhura sipas të drejtës zakonore dhe të regjistruara në regjistrin e martesave).
Ky është një parim që nuk shpallet në terma të shprehura në Kushtetutën tonë, një parim ky që mbart shumë rezonanca ideologjike dhe me një histori plot polemika, por që megjithatë, ka një rëndësi ligjore që mund të deduktohet nga normat themelore të sistemit tonë. Në të vërtetë, Gjykata e nxjerr këtë parim në mënyrë specifike nga Nenet 2, 3, 7, 8, 19 dhe 20 të Kushtetuës.
Parimi përdor një simbol linguistik (“shekullarizmi”) që në mënyrë të shkurtuar tregon aspekte të caktuara domethënëse të dispozitave të sipër-përmendura, përmbajtja e të cilave përcakton kushtet operuese në të cilat ky symbol duhet kuptuar dhe duhet të funksionojë. Nëse këtë kushte operuese specifike nuk do të ishin përcaktuar, parimi i “shekullarizmit” do të kishte mbetur i kufizuar vetëm tek konfliktet ideologjike dhe do të mund të përdorej vetëm me vështirësi në një kuadër ligjor.
Në këtë kuadër, kushtet operuese sigurisht që përcaktohen duke iu referuar traditave kulturore dhe zakoneve të çdo populli, për sa kohë këto tradita dhe zakone reflektohen në rendin ligjor, dhe kjo gjë ndryshon nga një komb te tjetri. ...
Në kontekstin e kësaj gjykate dhe problemit të paraqitur para saj, domethënë të legjitimitetit të ekspozimit në klasë të kryqit me krishtin e kryqëzuar, ajo çka mbetet për t’u bërë nga ana e autoriteteve kompetente që veprojnë në përputhje me rregulloret, është detyra e thjeshtë e verifikimit nëse kjo kërkesë shkel apo jo përmbajtjen e normave themelore të rendit tonë kushtetues, që i japin formë dhe substancë parimit të “shekullarizmit” që tashmë karakterizon Shtetin Italian e të cilave Gjykata Kushtetuese u është referuar në një numër rastesh.
Fare qartë, kryqi është në vetvete një symbol që mund të ketë kuptime të ndryshme dhe shërben për qëllime të ndryshme, para së gjithash, për vendin ku mbahet i ekspozuar.
Në një vend adhurimi kryqi është ashtu siç duhet dhe eksklusivisht një “simbol fetar”, pasi ka për qëllim të nxisë adhurimin dhe respektin për themeluesin e fesë së Krishterë.
Në një kontekst jo fetar, siç është shkolla që përdoret për edukimin e të rinjve, kryqi mund të përcjellë edhe këtu vlerat e sipër-permendura për besimtarët, por për ta dhe jo-besimtarët ekspozimi i tij është i justifikuar dhe mbart një kuptim jo-diskriminues nga këndvështrimi fetar, në qoftë se është në gjendje të përfaqësojë dhe evokojë sintetikisht dhe në një mënyrë menjëherë të perceptueshme dhe të parashikueshme (si çdo simbol) vlera që janë të rëndësishme për shoqërinë civile, veçanërisht, vlerat që janë në themel dhe frymëzojnë rendin tonë kushtetues, themelin e jetës sonë civile. Në këtë kuptim, kryqi mund të kryejë– madje në një perspektivë “shekullare” të dallueshme nga perspektiva e tij specifike fetare– një funksion të lartë edukues, pavarësisht fesë së nxënësve.
Tashmë është e qartë se, në Itali, kryqi është në gjendje të shprehë, sigurisht simbolikisht, por ashtu siç duhet, origjinën fetare të këtyre vlerave – tolerancën, respektin reciprok, vlerësimin e personit, afirmimin e të drejtave të personit, konsiderimin e lirisë së personit, autonominë e vetëdijës morale të personit përballë autoritetit, sulidaritetin njerëzor dhe refuzimin e çdo forme diskriminimi – që karakterizojnë qytetërimin Italian.
Këto vlera që qëndrojnë në thelb të traditave, mënyrës së jetesës, kulturës së popullit Italian, formojnë bazën dhe rrjedhin prej normave themelore të kartës sonë themeluese – pjesë e “Parimeve Themelore” dhe të pjesës së parë – dhe sidomos prej atyre të cilave u është referuar Gjykata Kushtetuese dhe që përkufizojnë formën e shekullarizmit të përshtatshëm për Shtetin Italian.
Adresimi, nëpërmjet kryqit, i origjinës fetare të këtyre vlerave dhe përputhja e tyre e plotë me mësimet e krishtera rrjedhimisht nxjerr në pah qartësisht burimet transhendente të vlerave në fjalë, pa vënë në pyetje, në të vërtetë duke konfirmuar autonominë e pushtetit të përkohshëm tokësor përballë pushtetit shpirtëror (por jo opozicionin e tyre, të nënkuptuar në një interpretim ideologjik të shekullarizmit që nuk ka asnjë ekuivalencë në Kushtetutë), dhe pa i hequr asgjë natyrës së tyre të veçantë “shekullare”, të përshtatur ndaj kontekstit kulturor, specifik të rendit fundamental të Shtetit Italian dhe të manifestuar prej tij. Prandaj këto vlera në shoqërinë civile përjetohen në mënyrë autonome (dhe jo kontradiktore) në raport me shoqërinë fetare, kështu që të mund të përqafohen në mënyrë “shekullare” nga të gjithë, pavarësisht devocionit ndaj besimit që i ka frymëzuar dhe mbrojtur ato.
Si me çdo simbol tjetër, kryqit mund t’i vihen dhe vishen kuptime të shumta kontrastuese; dikush mund edhe t’ia mohojë këtë vlerë simbolike e ta kthejë në një xhingël të thjeshtë më së shumti me një vlerë artitike. Megjithatë, një kryq i vënë në murin e një klase nuk mund të konsiderohet si xhingël, apo si diçka dekorative e as si një aksesor adhurimi. Në të vërtetë, ai duhet të shihet si një simbol i aftë për të reflektuar origjinat e shquara të vlerave civile të përmendura më sipër, vlera që përkufizojnë shekullarizmin në rendin ligjor aktual të Shtetit. ...”
II. ZHVILLIMI I TË DREJTËS SË BRENDËSHME DHE PRAKTIKËS PËRKATËSE
17. Detyrimi për vënien e kryqit në klasat e shkollës fillore përcaktohet në Nenin 140 të dekretit mbretëror nr. 4336 të 15 Shtatorit 1860, të Mbretërisë së Piemonte-Sardenjës, shpallur në përputhje me Ligjin nr. 3725 të 13 Nëntorit 1859, i cili parashikonte se: “çdo shkollë duhet pajisur me çdo kusht ... një kryq” (Neni 140).
Në vitin 1861, viti i lindjes së Shtetit Italian, Statuti 1848 i Mbretërisë së Piemonte-Sardenjës u bë Kushtetuta e Italisë; ai siguronte në mënyrë të veçantë se: “Feja romake katolike apostolike është e vetmja fe e Shtetit [dhe] besimet e tjera do të lejohen në përputhje me ligjin”.
18. Marrja e Romës nga ushtria italiane më 20 Shtator 1870, mbas të cilës qyteti u ankesua dhe u shpall kryeqyteti i Mbretërisë së re të Italisë, shkaktoi një krizë në marrëdhëniet mes Shtetit dhe Kishës Katolike. Me anë të ligjit nr. 214, i datës 13 Maj 1871, Shteti Italian rregulloi në mënyrë të njëanëshme marrëdhëniet me Kishën, duke i dhënë Papës një numër privilegjesh për organizimin sipas rregullave të aktivitetit fetar. Sipas kërkuesve, ekspozimi i kryqit në shkolla pak nga pak nisi të dalë nga përdorimi.
19. Gjatë periudhës fashiste, Shteti mori një sërë masash me qëllim sigurimin e respektimit të detyrimit për ekspozimin e kryqeve në klasa.
Për shembull, më 22 Nëntor 1922, Ministria e Arsimit nxorri një qarkore (nr. 68) me formulimin e mëposhtëm: “... vitet e fundit, në shumë shkolla fillore të Mbretërisë është hequr imazhi i Krishtit dhe protreti i Mbretit. Kjo është një shkelje e hapur dhe e patolureushme e rregullores dhe veçanërisht një sulm ndaj fesë mbizotëruese të Shtetit dhe unitetit të Kombit. Prandaj, urdhërojmë të gjitha autoritetet administrative bashkiake të Mbretërisë të rivendosin në shkollat ku mungojnë dy simbolet e shenjta të besimit dhe vetëdijes së kombëtarisë.”
Më 30 Prill 1924, u miratua dekreti mbretëror nr. 965 i 30 Prillit 1924. Ky dekret përcaktonte rregulloren e brendëshme për qeverisjen e shkollave të mesme (ordinamento interno delle giunte e dei regi istituti di istruzione media). Neni 118 parashikonte:
“Çdo shkollë duhet të ketë flamurin kombëtar dhe çdo klasë duhet të ketë një kryq dhe një portret të Mbretit”.
Neni 119 i dekretit mbretëror nr. 1297 i 26 Prillit 1928, që miratonte rregulloren e përgjithëshme të shërbimit të arsimit elementar (approvazione del regolamento generale sui servizi dell’istruzione elementare), përcakton se kryqi duhet të jetë pjesë përbërëse e “pajisjeve dhe furnizimeve të domosdoshme të një klase në shkollë”.
20. Paktet Laterane, të nënshkruara më 11 Shkurt 1929, shënuan “Pajtimin” e Shtetit Italian dhe Kishës Katolike. Katoliçizmi u konfirmua si feja zyrtare e italisë. Neni 1 i Traktatit të Pajtimit ishte formuluar si mëposhtë:
“Italia njeh dhe riafirmon parimin e vendosur në Nenin e parë të Kushtetutës Italiane të datës 4 Mars 1848, sipas të cilës feja romane katolike apostolike është e feja e vetme e Shtetit.”
21. Në vitin 1948, Italia miratoi Kushtetutën e saj republikane, Neni 7 i të cilës parashikon: “Shteti dhe Kisha Katolike, secili në mënyrën e vet, do të jenë të pavarur dhe Sovran ... marrëdhëniet e tyre do të rregullohen nëpërmjet Pakteve Laterane [dhe] amendimet e Pakteve të pranuara nga të dy palët nuk kërkojnë procedura gjyqësore për rishikimin e Kushtetutës.” Neni 8 parashikon: “Të gjitha besimet fetare do të jenë njëlloj të lira përpara ligjit... besimet fetare, përveç atij katolik kanë të drejtën të organizohen sipas statuteve të tyre, për sa kohë nuk janë në papajtueshmëri me rendin ligjor [dhe] marrëdhëniet e tyre me Shtetin do të përcaktohen me ligj në bazë të marrëveshjeve me përfaqësuesit e tyre përkatës”.
22. Protokolli i marrëveshjes së re, i datës 18 Shkurt 1984, i ratifikuar nga Ligji nr. 121 i datës 25 Mars 1985, deklaron se parimi i përcaktuar në Paktet Laterane se feja katolike është e vetmja fe Shtetërore, nuk është më në fuqi.
23. Në një vendim të 12 Prillit 1989 (nr. 203), shpallur për një çështje që ngrinte problemin e natyrës jo të detyrueshme të mësimeve fetare katolike në shkollat shtetërore, Gjykata Kushtetuese u shpreh se parimi i shekullarizmit rridhte nga Kushtetuta, gjë që nuk nënkuptonte se Shteti duhet të ishte indiferent ndaj feve, por ai duhet të garantonte mbrojtjen e lirisë së fesë në kontekstin e pluralizmit të besimit dhe atij kulturor.
Gjatë shqyrtimit në çështjen në fjalë të një kërkese në lidhje me përputhshmërinë e pranisë së kryqit në klasat e shkollave shtetërore me parimin e shekullarizmit, Gjykata Kushtetuese vendosi se kjo gjë nuk ishte në juridiksionin e saj, pasi tekstet që kërkonin praninë e kryqit ishin vetëm rregullore (vendim i datës 15 Dhjetor 2004, nr. 389; shiko paragrafin 14 sipër). Consiglio di Stato, kur iu kërkua të merrte në shqyrtim këtë çështje, u shpreh se prania e kryqit në klasat e shkollave shtetërore, duke patur parasysh kuptimin që i duhej dhënë atij, ishte në pajtim me parimin e shekullarizmit (vendim i datës 13 Shkurt 2006, nr. 556; shiko paragrafin 16 sipër).
Në një çështje tjetër, Gjykata e Kasacionit kishte bërë një analizë të kundërt me atë të Consiglio di Stato në kontekstin e një persekutimi si rezultat i refuzimit për të shërbyer si kontrollor në një qendër votimi për shkak të një kryqi të ekspozuar aty. Në vendimin e saj të datës 1 Mars 2000 (nr. 439), ajo u shpreh se prania e kryqit shkelte parimet e shekullarizmit dhe paanshmërisë së Shtetit, si dhe parimin e lirisë së ndërgjegjes të atyre që nuk pranonin të ishin besnikë të atij simboli. Ajo refuzoi shprehimisht argumentin se ekspozimi i kryqit ishte i justifikuar duke qenë se ishte simbol i “një qytetërimi të tërë apo i ndërgjegjes etike kolektive” dhe – këtu Gjykata e Kasacionit citoi termat e përdorura nga Consiglio di Stato në një opinion të datës 27 Prill 1988 (nr. 63) – se simbolizonte gjithashtu “një vlerë universale të pavarur nga çdo lloj besimi fetar specifik”.
24. Më 3 Tetor 2002, Ministri i Arsimit, Universiteteve dhe Kërkimit Shkencor nxorri udhëzimin e mëposhtëm (nr. 2666):
“... Ministri
... Duke pasur parasysh se prania e kryqave në klasa bazohet në dispozitat në fuqi, se nuk përbën as shkelje të pluralizmit fetar, as të objektivave të edukimit multikulturor në shkollat italiane dhe se nuk mund të konsiderohet si një kufizim i lirisë së ndërgjegjes të garantuar nga Kushtetuta, pasi nuk i referohet një besimi specifik, por përbën vetëm një shprehje të qytetërimit dhe kulturës kristiane, duke qenë kështu pjesë përbërëse e trashëgimisë universale të njerëzimit;
Pasi ka vlerësuar, në respekt të aleancave, bindjeve dhe besimeve të ndryshme, mundësinë e dëshirueshme për t’u kërkuar të gjithë shkollave, brenda limiteve të autonomisë së tyre dhe me vendim të organeve të tyre kompetente kolegjiale, të caktojnë një ambient brenda godinës së tyre për t’u përdorur për reflektim apo meditim, pa ndonjë detyrim për orare fikse, nga ata pjestarë të komunitetit të shkollës që e duan një gjë të tillë;
Nxjerr udhëzimin e mëposhtëm:
Shërbimi kompetent i Ministrit ... do të marrë masat e domosdoshme në mënyrë që:
1) drejtuesit e shkollës të sigurojnë praninë e kryqit në klasa;
2) të gjitha shkollat, brenda limiteve të autonomisë së tyre dhe me vendim të organeve të tyre kompetente kolegjiale, të caktojnë një ambjent brenda godinës së tyre për t’u përdorur për reflektim apo meditim, pa ndonjë detyrim për orare fikse, nga ata pjestarë të komunitetit të shkollës që e duan një gjë të tillë...”.
25. Nenet 19, 33 dhe 34 të Kushtetutës janë formuluar si më poshtë:
Neni 19
“Çdokush ka të drejtën të ushtrojë besimin e tij fetar në çdo formë, individualisht apo me të tjerë, dhe të promovojë dhe celebrojë rite në publik apo në mënyrë private, me kusht që ato të mos jenë në shkelje të moralit publik. ”
Neni 33
“Republika garanton lirinë e arteve dhe shkencave, të cilat mund të mësohen lirisht.
Republika vendos rregullat e përgjithshme për arsimin dhe hap shkolla shtetërore të të gjitha degëve dhe niveleve. ...”
Neni 34
“Shkollat janë të hapura për të gjithë.
Arsimi elementar, i dhënë të paktën për tetë vjet, është i detyrueshëm dhe falas. ...”
III. VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM MBI TË DREJTËN DHE PRAKTIKËN E SHTETEVE ANTARE TË KËSHILLIT TË EUROPËS NË LIDHJE ME PRANINË E SIMBOLEVE FETARE NË SHKOLLAT SHTETËRORE
26. Në një pjesë të madhe të Shteteve antare të Këshillit të Europës çështja e pranisë së simboleve fetare në shkollat shtetërore nuk rregullohet me ndonjë rregullore specifike.
27. Prania e simboleve fetare në shkollat shtetërore ndalohet në mënyrë të shprehur vetëm në një numër të vogël Shtetesh antare: ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Franca (me përjashitm të Alsace dhe département të Moselle-s) dhe Gjeorgjia.
Ajo është e rregulluar me shkrim – ashtu si në Itali – në disa Shtete antare, pikërisht në: Austri, rajone të caktuara administrative të Gjermanisë (Länder), Zvicër (communes) dhe në Poloni. Megjithatë, të tilla simbole gjenden edhe në shkollat shtetërore të disa Shteteve antare ku kjo çështje nuk është e rregulluar specifikisht si në Spanjë, Greqi, Irlandë, Maltë, San Marino dhe Rumani.
28. Çështja është dërguar në gjykatat e larta të disa Shteteve antare.
Në Zvicër Gjykata Federale është shprehur përmes një urdhërese komunale se prania e kryqeve në klasat e shkollave elementare është në kundërshtim me kërkesat e asnjanësisë konfesionale të sanksionuar në Kushtetutën Federale, por pa e kritikuar praninë e tyre në pjesë të tjera të godinës së shkollës (26 Shtator 1990; ATF 116 1a 252).
Në Gjermani, Gjykata Kushtetuese Federale është shprehur se një urdhër i ngjashëm i autoriteteve bavareze ishte në kundërshtim me parimin e asnjanësisë së Shtetit dhe i vështirë për t’u pajtuar me lirinë e fesë së fëmijëve që nuk ishin katolikë (16 Maj 1995; BVerfGE 93,1). Parlamenti bavarez më pas nxorri një urdhër të ri që e ruante masën e mëparëshme, por u lejonte prindërve të shprehnin bindjet e tyre fetare apo shekullare duke kundërshtuar praninë e kryqeve në klasat ku bënin mësim fëmijët e tyre, dhe krijonte sipas nevojës një mekanizëm, me anë të të cilit të mund të arrihej një kompromis apo zgjidhje e personalizuar.
Në Poloni, Avokati i Popullit i ka referuar Gjykatës Kushtetuese një urdhër të datës 14 Prill 1992, lëshuar nga Ministri i Arsmit ku porosiste veçanërisht mundësinë e ekspozimit të kryqeve në klasat e shkollave Shtetërore. Gjykata Kushtetuese mori vendim se masa ishte në pajtueshmëri me lirinë e ndërgjegjes dhe fesë dhe parimin e ndarjes së Kishës nga Shteti, garantuar nga Neni 82 i Kushtetutës, me kusht që ekspozimi të mos bëhej i detyrueshëm (20 Prill 1993; nr. U 12/32).
Në Rumani, Gjykata e Lartë hodhi poshtë një vendim të Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Diskriminimit, të datës 21 Nëntor 2006, i cili i rekomandonte Ministrisë së Arsimit se duhej të rregullonte çështjen e pranisë së simboleve fetare në institucionet arsimore publike dhe veçanërisht, të autorizonte ekspozimin e këtyre simboleve vetëm gjatë orëve të mësimit të fesë ose vetëm në klasat e përdorura për mësimin e fesë. Gjykata e Lartë u shpreh, në mënyrë të veçantë, se vendimi për ekspozimin e këtyre simboleve në institucionet arsimore duhej të ishte çështje e komunitetit të mësuesve, nxënësve dhe prindërve të nxënësve (11 June 2008; nr. 2393).
Në Spanjë, Gjykata e Lartë e Drejtësisë e Kastijës dhe Leonit, në gjykimin e një çështje të ngritur nga një shoqatë që luftonte në mbështetje të shkollimit shekullar dhe që kish kërkuar pa sukses heqjen e simboleve fetare nga shkollat, u shpreh se shkollat në fjalë duhet t’i hiqnin ato, në qoftë se merrnin një kërkesë eksplicite nga ana e prindërve të një nxënësi (14 Dhjetor 2009; nr. 3250).
E DREJTA
I. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 2 TË PROTOKOLLIT No 1 DHE NENIT 9 TË KONVENTËS
29. Kërkuesit u ankuan për faktin se kryqet gjendeshin të varur në murin e klasave të shkollës shtetërore ku bënin mësim kërkuesi i dytë dhe i tretë. Ata argumentuan se kjo gjë shkelte të drejtën e tyre për arsimim, e garantuar nga Neni 2 i Protokollit No. 1, si më poshtë:
“Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsimim. Shteti, në ushtrimin e funksioneve që merr përsipër në fushën e edukimit dhe të arsimit, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë edukim dhe arsim në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike.”
Ata argumentuan gjithashtu se këto fakte shkelnin të drejtën e tyre për lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, e sanksionuar në Nenin 9 të Konventës, i cili siguron si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve.
2. Liria e shfaqjes së fesë ose besimeve të dikujt nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve”
A. Vendimi i Dhomës
30. Në vendimin e saj të 3 Nëntorit 2009, Dhoma u shpreh se ishte shkelur Neni 2 i Protokollit No. 1 i marrë në lidhje me Nenin 9 të Konventës.
31. Së pari, nga parimet ne lidhje me interpretimin e Nenit 2 të Protokollit Nr. 1, përcaktuar në jurisprudencën e Gjykatës, Dhoma nxori detyrimin nga ana e Shtetit për të mos imponuar besime, qoftë edhe në mënyrë indirekte, ne vende ku personat janë në varësi të tij apo në vende ku ata janë veçanërisht të cënueshëm, duke theksuar se shkollimi i fëmijëve përbënte një fushë veçanërisht të ndjeshme në këtë kuptim.
Gjykata u shpreh më tej se, mes shumësisë së kuptimeve që kryqi mund të kishte, kuptimi fetar ishte dominues. Në përputhje me këtë ajo mendonte se prania e detyrueshme dhe shumë e dukshme e kryqeve në klasa përbënte, jo vetëm një përplasje me bindjet shekullare të kërkueses së parë, fëmijët e të cilës në atë kohë mësonin në një shkollë shtetërore, por ishte edhe shqetësuese emocionalisht për nxënësit me bindje jo-kristiane ose për ata që nuk ishin besimtarë të ndonjë feje. Në lidhje me këtë të fundit, Dhoma theksoi se liria “negative” e fesë nuk kufizohej vetëm në mungesën e shërbimeve fetare apo të edukimit fetar: ajo shtrihej deri tek praktikat dhe simbolet shprehëse, në veçanti apo në përgjithësi, të një besimi, një feje apo ateizmit. Ajo shtoi se kjo “e drejtë negative” meritonte mbrojtje të veçantë në rast se ishte Shteti ai që shprehte një besim dhe kundërshtuesit gjendeshin në një situatë të tillë, nga e cila nuk mund të tërhiqeshin, veçse përmes veprimesh dhe sakrificash të shpërpjestuara.
Sipas Dhomës, Shteti kishte detyrën të ruante asnjanësinë konfesionale në arsimin publik, ku ndjekja e mësimit ishte e detyrueshme, pavarësisht fesë, dhe duhej të përpiqej të nguliste tek nxënësit shprehinë e mendimit kritik. Ajo vërejti gjithashtu se nuk e kuptonte se si ekspozimi në klasat e shkollave Shtetërore të një simboli që ishte e arsyeshme të shoqërizohej me fenë e shumicës në Itali, mund t’i shërbente pluralizmit arsimor që ishte thelbësor për ruajtjen e “shoqërisë demokratike” në kuptimin sipas Konventës të termit.
32. Dhoma konkludoi se “ekspozimi i detyrueshëm i një simboli të një besimi të veçantë gjatë ushtrimit të autoritetit publik në raport me situata specifike që i nënshtrohen mbikqyrjes shtetërore, sidomos në klasa, kufizon[te] të drejtën e prindërve për të edukuar fëmijët e tyre në përputhje me bindjet e tyre dhe të drejtën e fëmijëve të shkollave për të besuar apo për të mos besuar”. Praktika i shkelte ato të drejta, pasi “kufizimet [ishin] të papajtueshme me detyrën e Shtetit për të respektuar asnjanësinë në ushtrimin e autoritetit publik, veçanërisht në fushën e arsimit” (§ 57 i vendimit).
B. Argumentet e palëve
1. Qeveria
33. Qeveria nuk ka ngritur pretendim për papranueshmërinë.
34. Ajo shprehu keqardhjen që Dhoma nuk kishte patur në dispozicion një studim sipas të drejtës krahasuese në lidhje me marrëdhëniet midis Shtetit dhe feve dhe mbi çështjen e ekspozimit të simboleve fetare në shkollat shtetërore. Ajo pohoi se në këtë mënyrë Dhoma i kishte privuar vetes një element esencial, pasi një studim i tillë do të kishte nxjerrë në pah se në Europë nuk ekzistonte një qasje e përbashkët për këtë gjë dhe rrjedhimisht do e kishte çuar në konstatimin se Shtetet antare kishin një hapësirë veçanërisht të gjërë vlerësimi; për pasojë, Dhoma, në vendimin e saj nuk kishte mundur të marrë në konsideratë këtë hapësirë vlerësimi, duke injoruar kështu një aspekt themeltar të problemit.
35. Qeveria kritikoi, gjithashtu, vendimin e Dhomës për të nxjerrë nga koncepti i “asnjanësisë” së konfesionit një parim që përjashton çdo lloj marrëdhënie midis Shtetit dhe një feje të veçantë, ndërsa asnjanësia kërkon që autoritet publike administrative të marrin parasysh të gjitha fetë. Vendimi, në këtë mënyrë, bazohej në një konfuzion midis “asnjanësisë” (një “koncept inkluziv”) and “shekullarizmit (një “koncept ekskluziv”). Veç kësaj, në pikëpamjen e Qeverisë, asnjanësi do të thoshte se Shteti duhet të përmbahej në promovimin jo vetëm të një feje të veçantë, por edhe të ateizmit gjithashtu, duke e bërë “shekullarizmin” nga ana e Shtetit jo më pak problematik se sa proselitizimin nga ana e tij. Kështu, vendimi i Dhomës bazohej në një keqkuptim dhe çonte në favorizim të një qasje afetare ose antifetare, ndaj të cilës kërkuesja pohohej se ishte një mbështetëse militante, si antare e Bashkimit të ateistëve dhe agnostikëve racionalistë.
36. Qeveria argumetoi më tej se ishte e nevojshme të merrej parasysh fakti se një simbol mund të interpretohej në mënyra të ndryshme nga një person tek tjetri. Kjo ndodhte veçanërisht me shenjën e kryqit, i cili mund të perceptohej jo vetëm si një simbol fetar, por edhe si një simbol identitar e kulturor, simboli i parimeve dhe vlerave që krijonin bazën e demokracisë dhe të qytetërimit perëndimor; ai gjendej, për shembull, në flamujt e një numri vendesh europiane. Cilado qoftë fuqia evokative e një “imazhi”, në pikëpamjen e Qeverisë ai ishte vetëm një “simbol pasiv”, ndikimi i të cilit tek individët nuk është i krahasueshëm me ndikimin e “sjelljes aktive”, dhe askush në çështjen aktuale nuk ka pohuar se përmbajtja e mësimdhënies në Itali ishte e influencuar nga prania e kryqeve në klasa.
Ajo prani ishte shprehja e një “veçantie kombëtare”, karakterizuar dukshëm nga marrëdhëniet e ngushta midis Shteti, popullit dhe Katoliçizmit, atribut i zhvillimit historik, kulturor dhe territorial të Italisë dhe i një lidhje të ngushtë, të thellë e të gjatë me vlerat e Katolicizmit. Mbajtja e kryqeve në shkolla ishte, kësisoj, një çështje e ruajtjes së një tradite shekullore. Qeveria argumentoi se e drejta e prindërve për të respektuar “kulturën e tyre familjare” nuk duhej të shkelte të drejtën e komunitetit për transmetimin e kulturës së tyre apo të drejtën e fëmijëve për ta zbuluar atë. Veç kësaj, me pretendimin për një “rrezik potencial” të trazimit emocional në konstatimin e shkeljes së të drejtave për arsim dhe lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, Dhoma e kishte zgjeruar ndjeshëm qëllimine këtyre dispozitave.
37. Duke iu referuar, veçanërisht, vendimit të çështjes Otto-Preminger-Institut k. Austrisë të 20 Statorit 1994 (Seria A nr. 295-A), Qeveria pretendoi se, megjithëse duhej marrë parasysh fakti se feja katolike ishte feja e shumicës së italianëve, nuk ishte e drejtë që ky fakt të konsiderohej si një rrethanë përkeqësuese, siç kish bërë Dhoma. Përkundrazi, Gjykata duhet të njohë dhe mbrojë traditat kombëtare dhe ndjesinë popullore mbizotëruese, dhe ta linte në dorë të çdo Shteti mbajtjen e ekuilibrit mes interesave kundërshtare. Veç kësaj, ishte sipas jurisprudencës së Gjykatës që kurrikulat shkollore dhe dispozitat që përcaktonin epërsinë e fesë së shumicës, në vetvete, nuk flisnin për ndikim të padrejtë nga ana e Shtetit apo përpjekje për indoktrinim, dhe se Gjykata duhet të respektojë traditat dhe parimet kushtetuese në lidhje me marrëdhëniet midis Shtetit dhe feve – përfshirë, në çështjen në fjalë, qasjen e veçantë ndaj shekullarizmit që mbizotëronte në Itali – dhe të marrë në konsideratë kontekstin e çdo Shteti.
38. Veç kësaj, duke gjykuar se fjalia e dytë e Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 ishte e zbatueshme vetëm për kurrikulat e shkollave, Qeveria kritikoi vendimin e Dhomës për konstatimin e një shkelje pa ndonjë të dhënë për mënyrën se si, thjeshtë prania e një kryqi në një klasë ku mësonin fëmijët e kërkueses së parë, ishte në gjendje të reduktonte substancialisht aftësinë e saj për t’i rritur ata në përputhje me bindjet e saj, duke qenë se arsyeja e vetme e dhënë ishte se nxënësit do ta ndienin se po edukoheshin në një ambient shkollor që mbante shenjën e një feje të caktuar. Ky arsyetim ishte i gabuar po të gjykohej me metrin e jurisprudencës së Gjykatës, nga ku në mënyrë të veçantë dilte qartë se, së pari, Konventa nuk i pengonte Shtetet antare të kishin një fe shtetërore, apo të tregonin preferencë për një fe të caktuar, apo t’u mësonin fëmijëve më shumë në lidhje me fenë mbizotëruese, dhe, së dyti, duhej mbajtur parasysh që ndikimi edukativ i prindërve ishte shumë më i madh se ai i shkollës.
39. Në pikëpamjen e Qeverisë, prania e kryqeve në klasa ishte një kontribut legjitim për t’i bërë fëmijët të aftë të kuptojnë komunitetin kombëtar ku ata duhej të integroheshin. Një “ndikim i ambientit” ishte gjithmonë e më i pamundur, pasi fëmijët në Itali arsimoheshin në mënyrë të tillë që i ndihmonte të zhvillonin një këndvështrim kritik në lidhje me çështjen e fesë, në një atmosferë larg pasioneve ku përjashtohej çdo lloj proselitizimi. Veç kësaj Italia kishte zgjedhur qasjen dashamirëse ndaj feve minoritare në ambientet shkollore: ligji Italian aktualisht njeh të drejtën për mbajtjen e shamisë sipas Islamit dhe veshje apo simbole të tjera me konotacion fetar; fillimi dhe mbyllja e Ramazanit shpesh festohej në shkolla; mësimet fetare lejoheshin për të gjitha besimet; dhe merreshin parasysh nevojat e nxënësve që i përkisnin besimeve të pakicave, si p. sh. në rastin e fëmijeve hebrenj të cilëve u njihej e drejta të mos jepnin provim të shtunave.
40. Së fundi, Qeveria theksoi nevojën për të marrë parasysh të drejtën e prindërve që e donin mbajtjen e kryqit në klasë. Kjo ishte dëshira e shumicës në Itali dhe ishte, gjithashtu, edhe dëshira e shprehur demokratikisht në çështjen në fjalë nga thuajse të gjithë antarët e organeve drejtuese të shkollës. Heqja e kryqeve nga klasat në këto rrethana do të ishte “abuzim i pozitës së pakicës” dhe do të ishte në kundërshtim me detyrën e Shtetit për të ndihmuar individët të kënaqin nevojat e tyre fetare.
2. Kërkuesit
41. Kërkuesit parashtruan se ekspozimi i kryqeve në klasat e shkollës shtetërore ku studionin kërkuesi i dytë dhe i tretë, përbënte ndërhyrje jo legjitime në të drejtën e tyre për liri mendimi dhe ndërgjegje dhe shkelte parimin e pluralizmit arsimor duke qenë se ishte shprehje e preferences së Shtetit për një fe të caktuar në një vend ku formohej ndërgjegjia. Me shprehjen e kësaj preference, Shteti gjithashtu shpërfillte detyrimin e tij për t’u siguruar mbrojtje të veçantë të miturve ndaj çdo forme propagande apo indoktrinimi. Veç kësaj, sipas kërkuesve, meqenëse mjedisi shkollor qe shenjuar me simbolin e fesë mbizotëruese, ekspozimi i kryqit për të cilin ata ankoheshin, shkelte të drejtën e kërkuesit të dytë dhe të tretë për të marrë edukim të hapur dhe pluralist me synimin për të zhvilluar aftësinë për gjykim kritik. Së fundi, meqë kërkuesja e parë ishte për shekullarizëm, kjo shkelte të drejtën e saj për edukimin e fëmijëve të saj në përputhje me bindjet e saj filozofike.
42. Kërkuesit argumetuan se kryqi ishte pa asnjë dyshim një simbol fetar dhe përpjekja për t’i dhënë atij një vlerë kulturore mbartte shijen e përpjekjes për të mbajtur në këmbë një mbrojtje të fundit e të pashpresë. Po ashtu nuk kishte asgjë në sistemin ligjor Italian që të justifikonte pohimin e tij si simbol të identitetit kombëtar: sipas Kushtetutës, këtë identitet e simbolizonte flamuri.
Veç kësaj, siç kishte vënë në dukje Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane në vendimin e saj të datës 16 Maj 1995 (shiko paragrafin 28 lart), t’i japësh kryqit një kuptim jo-fetar do ta largonte atë nga kuptimi i tij fillestar dhe do të ndihmonte në zhveshjen e tij prej natyrës së tij të shenjtë. Në lidhje me pretendimin se ai ishte thjesht një “simbol pasiv”, kjo gjë nuk mbante parasysh faktin se, si të gjithë simbolet e tjera – madje më shumë se gjithë të tjerët – ai i jepte formë materiale një realiteti njohës, intuitiv e emocional që shkonte përtej të perceptueshmes së menjërherëshme. Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane, veç kësaj, e kishte bërë këtë konstatim, duke u shprehur në vendimin e cituar më lart se prania e kryqeve në klasa kishte një karakter evokues, pasi ai përfaqësonte përmbajtjen e besimit që simbolizonte dhe shërbente si “material publicitar” për të. Së fundi, kërkuesit përmendën se në vendimin e çështjes Dahlab k. Zvicrës, të datës 15 Shkurt 2001 (nr. 42393/98, ECHR 2001-V), Gjykata kishte vënë në dukje fuqinë e veçantë që simbolet fetare ushtrojnë në mjedisin e shkollës.
43. Kërkuesit argumentuan se çdo Shtet demokratik e kishte për detyrë të garantonte lirinë e ndërgjegjes, pluralizmin, trajtimin e barabartë të besimeve dhe natyrën shekullare të institucioneve. Parimi i shekullarizmit kërkonte mbi të gjitha asnjanësinë nga ana e Shtetit, i cili duhet të qëndrojë jashtë sferës fetare dhe të mbajë të njëjtin qendrim me të gjitha rrymat fetare. Në fjalë të tjera, asnjanësia e detyron Shtetin të krijojë një hapësirë neutrale në të cilën gjithësecili mund të jetojë sipas besimeve të veta. Duke imponuar në klasa simbole fetare, domethënë kryqet, Shteti Italian po bënte të kundërtën.
44. Qasja e mbrojtur nga kërkuesit ishte kështu qartësisht e dallueshme nga ateizmi shtetëror, që shkonte në mohim të lirisë së fesë duke imponuar një pikëpamje shekullare në mënyrë autoritare. E parë në termat e paanëshmërisë dhe neutralitetit të Shtetit, shekullarizmi ishte, përkundrazi, një mjet për sigurimin e lirisë fetare dhe filozofike të ndërgjegjes për të gjithë.
45. Kërkuesit argumentuan më tej se ishte esenciale t’u siguroje mbrojtje të veçantë besimeve dhe bindjeve të pakicës, me qëllim që t’i ruaje ata që besonin në to prej “despotizmit të shumicës” dhe kjo ishte, gjithashtu, një arsye për heqjen e kryqeve nga klasat.
46. Si përfundim, kërkuesit argumentuan se, megjithëse heqja e kryqeve nga klasat e shkollave Shtetërore, siç besonte Qeveria, do të merrte me vete një pjesë të identitetit kulturor, mbajtja e tyre aty ishte në papajtueshmëri me themelet e mendimit perëndimor demokratik, parimet e Shtetit liberal dhe të një demokracie të hapur pluraliste, dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të individit të sanksionuara në Kushtetutën italiane dhe në Konventë.
C. Parashtrimet e palës së tretë
1. Qeveritë e Armenisë, Bullgarisë, Qipros, Federatës Ruse, Greqisë, Lituanisë, Maltës dhe Republikës së San Marinos
47. Në komentet e tyre të përbashkëta parashtruar në seancë, Qeveritë e Armenisë, Bullgarisë, Qipros, Federatës Ruse, Greqisë, Lituanisë, Maltës dhe Republikës së San Marinos treguan se në pikëpamjen e tyre argumentimi i Dhomës ishte bazuar në një keqkuptim të konceptit të “neutralitetit”, të cilin Dhoma e kish ngatërruar me “shekullarizmin”. Ata vunë në dukje që në Europë kishte një diverisitet shumë të madh rregullimi marrëdhëniesh Kishë-Shtet dhe se më shumë se gjysma e popullatës së Europës jetonte në Shtete jo-shekullare. Ata shtuan se simbolet e Shteteve kishin vend në mënyrë të pashmangshme në arsimin shtetëror dhe se shumë prej tyre kishin origjinë fetare, nga të cilët kryqi – një simbol sa kombëtar edhe fetar – ishte shembulli më i dukshëm. Në vështrimin e tyre, në shtetet jo-shekullare, prania e simboleve fetare në vendet publike tolerohej gjerësisht nga popullsia shekullare si pjesë e identitetit kombëtar. Shtetet nuk kanë pse i largohen një pjese të identitetit të tyre thjeshtë për shkak të origjinës fetare të asaj pjese. Pozicioni i mbajtur nga Dhoma nuk ishte shprehje e pluralizmit të manifestuar në Konventë, por shprehje e vlerave të një Shteti shekullar. Shtrirja e kësaj në të gjithë Europën do të përfaqësonte një “amerikanizim” të Europës, për faktin se për këdo do të ishte i detyrueshëm një rend i vetëm e unik dhe një ndarje rigoroze mes Kishës dhe Shtetit.
Në parashtrimet e tyre, favorizimi i shekullarizmit ishte një pozicion politik, i cili, edhe pse i respektueshëm, nuk ishte neutral. Për këtë arsye, në sferën e arsimit, një Shtet që mbështeste shekullaren përkundër fetares, nuk ishte se po vepronte në mënyrë neutrale. Po ashtu, heqja e kryqeve nga klasat ku kishin qenë gjithmonë, nuk do të ishte një veprim pa pasoja edukative. Në realitet, pavarësisht nëse shteti zgjidhte të lejonte apo ndalonte praninë e kryqeve në klasa, faktori i rëndësishëm ishte shkalla në të cilën kurrikulumi shkollor kontekstualizonte dhe u mësonte fëmijëve tolerancën dhe pluralizmin.
Qeveritë në pozicionin e palës së tretë pranuan se mund të ketë rrethana ku rregullimet nga ana e Shtetit të ishin të papranueshme. Megjithatë barra e provës duhet t’i lihej individit, ndërsa Gjykata duhet të ndërhyjë vetëm në raste ekstreme.
2. Qeveria e Principatës së Monakos
48. Qeveria ndërhyrëse deklaroi se ndante të njëjtën pikëpamje me Qeverinë e paditur, sipas të cilës kryqi ishte një “simbol pasiv” që gjendej në emblemat dhe flamujtë e shumë Shteteve dhe në rastin në fjalë reflektonte një identitet kombëtar të rrënjosur në histori. Veç kësaj, duke qenë i pandashëm, parimi i neutralitetit të Shtetit u kërkonte autoriteteve të mos impononin një simbol fetar atje ku nuk kish pasur kurrë një të tillë e as ta hiqnin një që kish qenë gjithmonë aty.
3. Qeveria e Rumanisë
49. Qeveria ndërhyrëse parashtroi se Dhoma nuk kishte marrë parasysh sa duhej hapësirën e madhe të vlerësimit që u ishte lënë Shteteve Kontraktuese kur bëhej fjalë për çështje sensitive dhe se nuk ekzistonte një konsensus i gjërë mbarë europian. Ajo vuri në dukje se jurisprudenca e Gjykatës njihte, veçanërisht, që Shtetet gëzonin një hapësirë të madhe vjerësimi në lidhje me mbajtjen e simboleve fetare në shkollat shtetërore; sipas parashtrimeve të tyre, e njëjta gjë duhej të ishte e zbatueshme për ekspozimin e simboleve fetare në këto shkolla. Ajo vuri në dukje, gjithashtu, se vendimi i Dhomës ishte bazuar në premisën se ekspozimi i simboleve fetare në shkollat shtetërore ishte shkelje e Nenit 9 të Konventës dhe Nenit 2 të Protokollit Nr. 1, që ishte në konflikt me parimin e neutralitetit sepse, atje ku ishte e zbatueshme, Shtetet Kontraktuese ishin të detyruara të ndërhynin për heqjen e atyre simboleve. Në vështrimin e tyre, atij parimi i shërbehej më mire atëherë kur vendime të këtij lloji merreshin në mënyrë të përbashkët nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Në çdo rast, meqenëse nuk kishte të bënte me detyrime të veçanta fetare, prania e kryqit në klasa nuk prekte në mënyrë të mjaftueshme ndjenjat fetare të personave të interesuar, aq sa të përbënte shkelje të dispozitave të sipër-përmendura.
4. Organizata jo-qeveritare Greek Helsinki Monitor
50. Sipas kësaj organizate, kryqi nuk mund të perceptohej ndryshe, përveçse si një simbol fetar, ndaj dhe ekspozimi i tij në klasat e një shkolle shtetërore mund të shihej si një mesazh institucional në mbrojtje të një feje të caktuar. Ajo vuri në dukje se në çështjen Folgerø, Gjykata ishte shprehur se pjesëmarrja e nxënësve në aktivitete fetare, në fakt, mund të kishte ndikim mbi ta, dhe mendonte se kjo ishte e vërtetë edhe kur ata merrnin mësim në klasa ku mbahej i ekspozuar një simbol fetar. Ajo, gjithashtu, tërhoqi vëmendjen e Gjykatës ndaj faktit se fëmijët apo prindërit të cilët i shqetësonte një gjë e tillë, mund të hezitonin të protestonin nga frika e masave reagimeve ndëshkuese.
5. Organizata jo-qeveritare Associazione nazionale del libero Pensiero
51. Kjo organizatë e cila mendonte se prania e simboleve fetare në klasat e shkollave stetërore ishte në papajtueshmëri me Nenin 9 të Konventës dhe Nenin 2 të Protokollit Nr. 1, parashtroi se kufizimet e vendosura mbi të drejtat e kërkuesëve nuk “parashikoheshin me ligj” në kuptimin e jurisprudencës së Gjykatës. Në lidhje me këtë, ajo vuri në dukej se ekspozimi i kryqit në klasat e shkollave shtetërore përshkruhej jo nga ligji, por nga rregullore të miratuara gjatë epokës fashiste. Ajo shtoi se, në çdo rast, këto rregullore ishin shfuqizuar nga Kushtetuta e vitit 1947 dhe Ligji i 1985-ës që ratifikonin marrëveshjet amenduese të Pakteve Laterane të vitit 1929. Ajo vuri në dukje se Divizioni Penal i Gjykatës se Kasacionit, në përputhje me këtë kishte marrë vendimin e datës 1 Mars 2000 (nr. 4273) për një çështje të ngjashme në lidhje me kryqet e ekspozuara në qendrat e votimit dhe se e kishte konfirmuar këtë qasje në një vendim të 17 Shkurtit 2009 në lidhje me kryqet në sallat e gjykatës (megjithëse pa u shprehur për themelin). Kishte pra një përplasje të jurisprudencës midis Consiglio di Stato – i cili, përkundrazi, shprehej se rregulloret përkatëse ishin të zbatueshme – dhe Gjykatës së Kasacionit që prekte parimin e sigurisë ligjore, që ishte shtylla e një Shteti të drejtuar nga sundimi i ligjit. Përderisa Gjykata Kushtetuese shprehej se nuk kishte juridiksion, Italia nuk kishte mekanizmin përmes të cilit mund të zgjidhej ky konflikt.
6. Organizata jo-qeveritare European Centre for Law and Justice
52. Kjo organizatë parashtroi se Dhoma e kishte adresuar gabim problemin e ngritur nga çështja, që ishte nëse të drejtat sipas Konventës, të pretenduara nga kërkuesja e parë, ishin shkelur thjeshtë për shkak të pranisë së kryqit të mbajtur në klasat e shkollës. Në vështrimin e saj ato nuk ishin shkelur. Së pari, “bindjet personale” të fëmijëve të kërkueses së parë nuk ishin shkelur, pasi ata as nuk ishin detyruar të vepronin kundër ndërgjegjes së tyre, as nuk ishin ndaluar të vepronin sipas ndërgjegjes së tyre. Së dyti, “bindjet e tyre më të thella” dhe e drejta e kërkueses së parë për të siguruar edukimin e tyre në përputhje me bindjet e saj filozofike nuk ishin shkelur, pasi fëmijët e saj as nuk ishin detyruar të besonin, as nuk ishin ndaluar të besonin. Ata nuk ishin indoktrinuar; as nuk ishin bërë objekt proselitizimi në vendin e gabuar. Organizata parashtroi se Dhoma kishte gabuar kur qe shprehur se vendimi i një Shteti për ekspozimin e kryqit në klasa ishte në kundërshtim me Konventën (gjë që nuk ishte çështja e paraqitur përpara saj). Duke vepruar kështu, dhoma kishte krijuar “një detyrim të ri në lidhje jo me të drejtat e kërkueses së parë, por në lidhje me natyrën e “mjedisit arsimor”. Në parashtrimet e organizatës ndërhyrëse, pikërisht ngaqë nuk kishte qenë në gjendje të provonte që “bindjet më të thella dhe personale” të fëmijëve të kërkueses së parë ishin shkelur për shkak të pranisë së kryqit në klasat e shkollës, Dhoma kishte krijuar një detyrim të ri për të siguruar që mjedisi shkollor të ishte tërësisht shekullar, duke kapërcyer kështu qëllimin e zbatimit dhe limitet e juridiksionit të saj.
7. Organizata jo-qeveritare Eurojuris
53. Organizata ndërhyrëse ishte dakord me konkluzionet e Dhomës. Pasi risolli në vëmendje dispozitat përkatëse të ligjit Italian pozitiv – dhe nënvizoi vlerën kushtetuese të shekullarizmit– ajo iu referua parimit të vendosur në jurisprudencën e Gjykatës në favour të asaj që shkollat nuk duhet të jenë një vend proselitizimi apo predikimi. Ajo iu referua gjithashtu edhe çështjeve në të cilat gjykata kishte marrë në shqyrtim problemin e mbajtjes së shamisë islamike në insitucionet arsimore. Ajo vuri në dukje më tej se prania e kryqit në klasat e shkollave shtetërore italiane nuk parashikohej nga ligji, por nga rregullore të trashëguara nga koha e fashizmit, gjë që reflektonte një konceptim të shtetit në lidhje me konfesionin sot, që ishte i papajtueshëm me parimin e shekullarizmit përcaktuar në të drejtën kushtetuese pozitive. Ajo hodhi poshtë me vendosmëri arsyetimin e Gjykatës Administrative italiane, sipas të cilës parashikimi i pranisë së kryqit në klasat e shkollave shtetërore vazhdonte të ishte në pajtueshmëri me atë parim, pasi ai simbolizonte vlera shekullare. Në parashtrimet e saj, ai ishte një simbol fetar, me të cilin personat jo të krishterë nuk identifikoheshin. Veç kësaj, duke i detyruar shkollat ta ekspozonin atë në klasat e shkollave shtetërore, Shteti i jepte një dimension të veçantë një feje të caktuar, në dëm të pluralizmit.
8. Organizatat jo-qeveritare të International Commission of Jurists, Interights dhe Human Rights Watch
54. Këto organizata parashtruan se ekspozimi i detyruar i simboleve fetare, si kryqi, në klasat e shkollave shtetërore ishte i papajtueshëm me parimin e neutralitetit dhe të drejtat e garantuara për nxënësit dhe prindërit e tyre nga Neni 9 i Konventës dhe Neni 2 i Protokollit Nr. 1. Në parashtrimet e tyre, pluralizmi arsimor ishte një parim i vendosur, i konfirmuar tashmë jo vetëm nga jurisprudenca e Gjykatës, por edhe nga një numër gjykatash të larta dhe nga disa instrumente ndërkombëtare. Veç kësaj, jurisprudenca e Gjykatës mbështeste detyrën nga ana e Shtetit për të qenë neutral dhe i paanshëm në lidhje me besimet fetare në sigurimin e shërbimeve publike, përfshirë edukimin. Ato vunë në dukje se parimi i paanshmërisë ishte njohur jo vetëm nga Gjykata Kushtetuese Italiane, Spanjolle dhe Gjermane, por, në mënyrë të veçantë, edhe nga Conseil d’Etat francez dhe Gjykata Federale Zvicerane. Ato shtuan se, siç ishin shprehur disa gjykata të larta, neutralititeti i shtetit në lidhje me besime fetaret ishte veçanërisht i rëndësishëm në klasë, pasi, meqenëse shkolla ishte e detyrueshme, fëmijët ishin të cënueshëm ndaj indoktrinimit në shkollë. Ato vazhduan më tej me risjelljen në vemendje të gjetjeve të Gjykatës se, megjithëse Konventa nuk i ndalonte Shtetet të jepnin informacion apo njohuri të një lloji fetar apo filozofik përmes mësimdhënies dhe edukimit, ata duhej të siguronin që kjo gjë të bëhej në mënyrë objektive, kritike dhe pluraliste, dhe të çliruar prej çfarëdolloj indoktrinimi. Ato theksuan se kjo gjë ishte e zbatueshme për të gjitha funksionet e ushtruara në fushën e edukimit dhe mësimdhënies, përfshirë organizimin e mjedisit shkollor.
9. Organizatat jo-qeveritare Zentralkomitee der deutschen katholiken, Semaines sociales de France dhe Associazioni cristiane lavoratori italiani
55. Këto organizata deklaruan se ishin dakord me Dhomën se kryqi, ndërkohë që kishte shumë kuptime, ishte në radhë të parë simboli qendror i Krishtërimit. Ato shtuan, megjithatë, se nuk ishin dakord me konkluzionin e saj dhe e kishin të vështirë të kuptonin se si prania e kryqeve në klasa mund të ishte “emocionalisht shqetësuese” për disa nxënës apo të pengonte zhvillimin e mendimit të tyre kritik. Në parashtrimet e tyre, prania në vetvete nuk mund të barazohej me një mesazh fetar apo filozofik; ajo duhej interpretuar më shumë si një mënyrë pasive e përcjelljes së vlerave morale. Çështja, rrjedhimisht, duhej konsideruar e tillë që mbeste në kompetencat e Shtetit kur ky të merrte vendimet në lidhje me kurrikulumin shkollor; prindërit duhet ta pranonin se aspekte të caktuara të edukimit në shkollat shtetërore nuk mund të ishin tërësisht në përputhje me bindjet e tyre. Ata shtuan se vendimi i një Shteti për ekspozimin e kryqit në klasat e shkollave shtetërore nuk nënkuptonte qëllimin e Shtetit për indoktrinim, gjë që ndalohej nga Neni 2 i Protokollit Nr. 1. Ata u shprehën se në çështjen në fjalë duhej gjetur ekuilibri midis të drejtave dhe interesave të besimtarëve dhe jo-besimtarëve, midis të drejtave themelore të individëve dhe interesave legjitime të shoqërisë, si dhe midis formulimit të standardeve për të drejtat themelore dhe ruajtjes së diversitetit ekzistues në Europë. Sipas parashtrimeve të tyre, Gjykata duhet t’u lërë Shteteve një hapësirë të madhe vlerësimi në këtë fushë, pasi organizimi i marrëdhënies midis Shtetit dhe fesë ndryshon nga vendi në vend dhe – sidomos në lidhje me vendin e fesë në shkollat shtetërore – është diçka e rrënjosur thellë në historinë, traditat dhe kulturën e një vendi.
10. Tridhjetë e tre antarët e Parlamentit Europian në veprim kolektiv
56. Ndërhyrësit theksuan se Gjykata nuk ishte një gjykatë kushtetuese dhe duhej të respektonte parimit e subsidiaritetit dhe të njihte një hapësirë vlerësimi veçanërisht të gjerë në favour të Shteteve Kontraktuese jo vetëm në lidhje me marrëdhënien midis Shtetit dhe fesë, por edhe për vendin ku ato kryenin funksionet e tyre në fushën e edukimit dhe mësimdhënies. Në vështrimin e tyre, duke marrë një vendim, efekti i të cilit do të ishte i tillë që detyronte heqjen e simboleve fetare nga shkollat shtetërore, Dhoma e Madhe jepte kështu një mesazh ideologjik radikal. Ata shtuan se nga jurisprudenca e Gjykatës ishte e qartë se një Shtet që, për arsye që vinin nga historia apo traditat e tij, shprehte preferencë për një një fe të caktuar, nuk e tejkalonte këtë hapësirë vlerësimi. Rrjedhimisht, sipas opinionit të tyre, ekspozimi i kryqit në godinat publike nuk ishte në kundërshtim me Konventën, dhe prania e simboleve fetare në hapësirën publike nuk duhej shikuar si një formë indoltrinimi, por si shprehje e unitetit dhe identitetit kulturor. Ata shtuan se, në këtë kontekst specifik, simbolet fetare kishin një dimension secular ndaj dhe nuk duheshin hequr.
D. Vlerësimi i Gjykatës
57. Në radhë të parë, Gjykata vëren se çështja e vetme përpara saj është ajo e pajtueshmërisë, në rrethanat e çështjes, të pranisë së kryqit në klasat e shkollave shtetërore italiane me kërkesat e Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 dhe Nenin 9 të Konventës.
Kështu, në këtë çështje nuk kërkohet shqyrtimi i pranisë së kryqit në vende të tjera, të ndryshme nga shkollat shtetërore. As nuk i takon Gjykatës të marrë shrehet mbi pajtueshmërinë e pranisë së kryqit në klasat e shkollave shtetërore me parimin e shekullarizmit siç sanksionohet në të drejtën italiane.
58. Së dyti, Gjykata thekson se mbështetësit e shekullarizmit duhet të jenë në gjendje të ngrenë pretendime në lidhje me pikëpamje të tilla që kanë “forcën bindëse, seriozitetin, kohezionin dhe rëndësinë e nivelit” të domosdosëm për t’u konsideruar si “bindje” brenda kuptimit të Nenit 9 të Konventës dhe Nenit 2 të Protokollit nr. 1 (shiko Campbell dhe Cosans k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 Shkurt 1982, § 36, Seria A nr. 48). Më saktësisht, pikëpamjet e tyre duhet të konsiderohen si “bindje filozofike”, brenda kuptimit të fjalisë së dytë të Nenit 2 të Protokolit No. 1, me kusht që të jenë të vlefshme për “t’u respektuar në një shoqëri demokratike’”, nuk janë të papajtueshme me dinjitetin njerëzor e as në kundërshtim me të drejtën themelore të fëmijës për arsim (ibid.).
1. Çështja e kërkueses së parë
a. Parime të përgjithëshme
59. Gjykata rithekson se në fushën e edukimit dhe mësimdhënies Neni 2 i Protokollit Nr. 1 është në parim lex specialis në lidhje me Nenin 9 të Konventës. Kjo është kështu të paktën në rastet ku, si në rastin e çështjes në fjalë, mosmarrëveshja ka të bëjë me detyrimin e vendosur mbi Shtetet Kontraktuese nga fjalia e dytë e Nenit 2 për të respektuar, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre në këtë fushë, të drejtën e prindërve për të siguruar një edukim dhe mësimdhënie në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike (shiko Folgerø dhe të Tjerë k. Norvegjisë [GC], nr. 15472/02, § 84, ECHR 2007‑VIII, § 84).
Ankesa në fjalë duhet shqyrtuar, kësisoj, kryesisht nga këndvështrimi i fjalisë së dytë të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 (shiko edhe Appel-Irrgang dhe të Tjerë k. Gjermanisë (dec.), nr. 45216/07, ECHR 2009‑...).
60. Megjithatë, ajo dispozitë duhet lexuar në dritën, jo vetëm të fjalisë së parë të të njëjtit Nen, por edhe sidomos të Nenit 9 të Konventës (shiko, për shembull, Folgerø, cituar më lart, § 84), i cili garanton lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, përfshirë lirinë për të mos qenë pjesë e një feje, dhe që vendos mbi Shtetet Kontraktuese “detyrën e neutralitetit dhe paanshmërisë”.
Në lidhje me këtë duhet theksuar se Shtetet kanë përgjegjësinë për të siguruar, me neutralitet dhe paanshmëri, ushtrimin e feve, bindjeve e besimeve të ndryshme. Roli i tyre është të ndihmojnë për ruajtjen e rendit publik, harmonisë dhe tolerancës fetare në një shoqëri demokratike, veçanërisht midis grupeve kundërshtare (shiko, për shembull, Leyla Şahin k. Turqisë [GC], nr. 44774/98, § 107, ECHR 2005‑XI). Kjo ka të bëjë si me marrëdhëniet midis besimtarëve dhe jo-besimtarëve, edhe me marrëdhëniet midis aderuesve të feve, bindjeve e besimeve të ndryshme.
61. Fjala “respekton” në Nenin 2 të Protokollit Nr. 1 do të thotë më shumë se sa thjesht “njeh” apo “merr parasysh”; përveç angazhimit në radhë të parë negativ, ajo nënkupton njëfarë detyrimi pozitiv nga ana e Shtetit (shiko Campbell dhe Cosans, cituar më lart, § 37).
Megjithatë kërkesat e nocionit të “respektit”, që del edhe në Nenin 8 të Konventës, ndryshojnë ndjeshëm nga çështja në çështje, duke patur parasysh diversitetin e praktikave të zbatuara dhe situatat e krijuara në Shtetet Kontraktuese. Si rezultat, Shtetet Kontraktuese gëzojnë një hapësirë të madhe vlerësimi për përcaktimin e hapave që duhen ndërmarrë për sigurimin e pajtueshmërisë me Konventën duke i kushtuar vëmendjen e duhur nevojave dhe burimeve të komunitetit dhe individëve. Në kontekstin e Nenit 2 të Protokollit nr. 1, ky koncept nënkupton, në mënyrë të veçantë, se kjo dispozitë nuk mund të interpretohet në mënyrë të tillë që nënkupton se prindërit mund të kërkojnë nga Shteti sigurimin e një forme të caktuar mësimdhënieje (shiko Bulski k. Polonisë (dec.), nos. 46254/99 dhe 31888/02).
62. Gjykata do i referohej jurisprudencës së saj edhe në lidhje me vendin e fesë në kurrikulën shkollore (shiko sidomos Kjeldsen, Busk Madsen dhe Pedersen k. Danimarkës, 7 Dhjetor 1976, §§ 50-53, Seria A nr. 23; Folgerø, cituar më lart, § 84; dhe Hasan dhe Eylem Zengin k. Turqisë, nr. 1448/04, §§ 51 dhe 52, ECHR 2007‑XI).
Sipas këtyre autoriteteve, ndërtimi dhe planifikimi i kurrikulës ishte kompetencë e Shteteve Kontraktuese. Në parim, nuk i takonte Gjykatës të shprehej për çështje të tilla, pasi zgjidhjet mund të ndryshonin në mënyrë legjitime në varësi të vendit dhe epokës.
Veçanërisht, fjalia e dytë e Nenit 2 të Protokollit nr 1 nuk i ndalon Shtetet të japin informacion apo njohuri të një lloji drejtpërsëdrejti apo tërthorazi fetar ose filozofik përmes mësimdhënies apo edukimit. Ai madje nuk i lejon as prindërit të kundërshtojnë integrimin e këtij mësimi apo edukimi në kurrikulën shkollore.
Nga ana tjetër, meqë qëllimi i tij është të garantojë mundësinë e pluralizmit në edukim, ai i kërkon Shtetit që, në ushtrimin e funksioneve të tij në lidhje me edukimin dhe mësimdhënien, të kujdeset që informacioni apo dija e përfshirë në kurrikulën shkollore të përcillet në mënyrë objektive, kritike dhe pluraliste, duke i bërë nxënësit të aftë të zhvillojnë një mendje kritike, sidomos në lidhje me fenë, në një atmosferë të qetë e të çliruar prej çdo lloj predikimi. Shteti ndalohet të ndjekë ndonjë qëllim indoktrinues që mund të konsiderohet i tillë që nuk respekton bindjet fetare dhe filozofike të prindërve. Ky është një kufi që nuk duhet kapërcyer nga Shteti (shiko vendimet e cituar më lart në këtë paragraf, përkatësisht §§ 53, 84 (h) dhe 52).
b. Vlerësimi i fakteve të çështjes në dritën e parimeve të mësipërme
63. Gjykata nuk pranon argumentin e Qeverisë se detyrimi i vendosur mbi Shtetet Kontraktuese nga fjalia e dytë e Nenit 2 të Protokollit Nr. 1, ka të bëjë vetëm me përmbajtjen e kurrikulës shkollore, kështu që çështja e pranisë së kryqit në klasat e shkollave shtetërore bie jashtë fushës së tij.
Është e vërtetë që një numër çështjesh ku Gjykata ka shqyrtuar këtë dispozitë, kishin të bënin me përmbajtjen dhe zbatimin e kurrikulës shkollore. Megjithatë, siç ka theksuar Gjykata, detyrimi i Shteteve Kontraktuese për të respektuar bindjet fetare dhe filozofike të prindërve nuk është i zbatueshëm vetëm për përmbajtjen e mësimit dhe mënyrën e dhënies së tij; ai është i zbatueshëm “në ushtrimin” e të gjithë “funksioneve” – sipas termave të fjalisë së dytë të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 – që ata marrin përsipër në lidhje me edukimin dhe mësimin (shiko veçanërisht Kjeldsen, Busk Madsen dhe Pedersen, cituar më lart, § 50; Valsamis k. Greqisë, 18 Dhjetor 1996, § 27, Raporte të Gjykimeve dhe Vendimeve 1996‑VI; Hasan dhe Eylem Zengin, cituar më lart, § 49; dhe Folgerø, cituar më lart, § 84). Kjo përfshin, pa asnjë dyshim, organizimin e mjedisit shkollor, funksion ky që, sipas të drejtës së brendëshme u takon autoriteteve lokale.
Në këtë kontekst duhet vënë prania e kryqit në klasat e shkollave shtetërore italiane (shiko Nenin 118 të dekretit mbretëror nr. 965 të 30 Prillit 1924, Nenin 119 të dekretit mbretëror nr. 1297 të 26 Prillit 1928 dhe Nenin 159 dhe 190 të dekretit legjislativ nr. 297 të 16 Prillit 1994 – paragrafet 14 dhe 19 lart).
64. Në përgjithësi, Gjykata mendon se atje ku organizimi i mjedisit shkollor është detyrë e autoriteteve publike, kjo detyrë duhet parë si një funksion i marrë përsipër nga Shteti në lidhje me edukimin dhe mësimin, brenda kuptimit të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1.
65. Nga kjo del se vendimi nëse kryqi duhet të jetë i pranishëm në klasat e shkollave shtetërore, është pjesë e funksioneve të marra përsipër nga Shteti i paditur në lidhje me edukimin dhe mësimin dhe, për rrjedhojë, është brenda sferës së veprimit të fjalisë së dytë të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1. Kjo bën që këtu të hyjë në veprim detyrimi i Shtetit për të respektuar të drejtën e prindërve për sigurimin e edukimit dhe mësimit të fëmijëve të tyre në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike.
66. Gjykata mendon, gjithashtu, se kryqi, para së gjithash, është një simbol fetar. Gjykatat e brendëshme kanë mbërritur në të njëjtin konkluzion e, në çdo rast, Qeveria nuk e ka kontestuar këtë gjë. Çështja nëse kryqi mbart edhe ndonjë kuptim tjetër, përtej simbolikës së tij fetare, nuk është vendimtare në këtë fazë të argumentimit të Gjykatës.
Përpara Gjykatës nuk janë paraqitur prova që tregojnë se ekspozimi i një simboli fetar në muret e klasave mund të ketë ndikim tek nxënësit e kështu nuk mund të pohohet në mënyrë të arsyeshme nëse një gjë e tillë ka apo nuk ka efekt tek personat në moshë të re, bindjet e të cilëve janë në formim e sipër.
Megjithatë, është e kuptueshme që kërkuesja e parë mund ta konsiderojë ekspozimin e kryqit në klasat e shkollës shtetërore ku fëmijët e saj ndiqnin më parë mësimet, si mungesë respekti nga ana e Shtetit për të drejtën e saj për të siguruar edukimin dhe mësimin e tyre në përputhje me bindjet e saj filozofike. Sidoqoftë, perceptimi subjektiv i kërkueses nuk është në vetvete i mjaftueshëm për të konfirmuar një shkelje të Nenit 2 të Protokollit No. 1.
67. Qeveria, nga ana e saj, shpjegoi se prania e kryqit në klasat e shkollave publike duke qenë një rezultat i zhvillimit historik të Italisë, një fakt ky që i jepte atij një konotacion jo vetëm fetar, por edhe identitar, tani ishte në përputhje me një traditë që ajo e konsideronte të rëndësishme për t’u ruajtur. Ajo shtoi se, përtej kuptimit të tij fetar, kryqi simbolizonte parimet dhe vlerat që formonin themelin e demokracisë dhe të qytetërimit perëndimor, dhe prania e tij në klasë ishte e justifikuar për këtë arsye.
68. Gjykata mendon se vendimi për ruajtjen apo jo të një tradite, në parim, është brenda hapësirës së vlerësimit të Shtetit të paditur. Gjykata, për më tepër, duhet të ketë parasysh që Europa karakterizohet nga një diversitet i madh mes Shteteve që e përbëjnë atë, veçanërisht në fushën e zhvillimit kulturor e historik. Ajo theksoi, megjithatë, se referimi ndaj një tradite nuk mund ta çlirojë një Shtet Kontraktues prej detyrimeve të tij për respektimin e të drejtave dhe lirive të sanksionuara në Konventë dhe Protokollet e saj.
Për sa i takon opinionit të Qeverisë mbi kuptimin e kryqit, Gjykata vëren se Consiglio di Stato dhe Gjykata e Kasacionit kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me këtë dhe se Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për këtë gjë (shiko paragrafet 16 dhe 23 lart). Nuk i takon Gjykatës të mbajë qendrim në lidhje me një debat të brendshëm mes gjykatave të brendëshme.
69. Fakti është që Shtetet Kontraktuese gëzojnë një hapësirë vlerësimi në lidhje me përpjekjet e tyre për të pajtuar ushtrimin e funksioneve që ato marrin përsipër në lidhje me edukimin dhe mësimdhënien, me respketimin e të drejtës së prindërve për të siguruar realizimin e edukimit dhe mësimdhënies në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike (shiko paragrafet 61-62 lart).
Kjo është e zbatueshme në organizimin e mjedisit shkollor dhe në ndërtimin dhe planifikimin e kurrikulës (siç është theksuar tashmë nga Gjykata: shiko veçanërisht vendimet e cituara më sipër në çështjet Kjeldsen, Busk Madsen dhe Pedersen, §§ 50-53; Folgerø, § 84; dhe Zengin, §§ 51-52; paragrafet 62 lart). Gjykata rrjedhimisht, në parim, ka për detyrë të respektojë vendimet e Shteteve Kontraktuese për gjëra të tilla, përfshirë vendin që ato i japin fesë, me kusht që këto vendime të mos shkojnë në nivelin e ndonjë forme indoktrinimi (ibid.).
70. Gjykata konkludon për çështjen në fjalë se vendimi nëse kryqi duhet të jetë i pranishëm në klasat e shkollave shtetërore, në parim, është një çështje që mbetet në hapësirën e vlerësimit të Shtetit të paditur. Veç kësaj, fakti që nuk ka një konsensus europian në lidhje me praninë e simboleve fetare në shkollat shtetërore (shiko paragrafet 26-28 lart), flet në favour të asaj qasjeje.
Kjo hapësirë vlerësimi, megjithatë, shkon krah për krah me mbikqyrjen europiane (shiko, për shembull, mutatis mutandis, Leyla Şahin, cituar lart, § 110), ndërsa detyra e Gjykatës në çështjen në fjalë është të përcaktojë nëse është kapërcyer kufiri i përmendur në paragrafin 69.
71. Në lidhje me këtë është e vërtetë që, duke lejuar praninë e kryqit në klasat e shkollave shtetërore – një shenjë që, pavarëshisht nëse i vishet apo jo edhe një vlerë simbolike shekullare, padyshim i referohet Krishtërimit – rregulloret i lejojnë fesë maxhoritare në vend një vizibilitet mbizotërues në mjedisin shkollor.
Kjo, megjithatë, nuk është e mjaftueshme në vetvete për të treguar një proces indoktrinimi nga ana e Shtetit të paditur dhe për të përcaktuar një shkelje të kërkesave të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1.
Gjykata i referohet për këtë pikë, mutatis mutandis, vendimeve të cituara më parë Folgerø dhe Zengin. Në çështjen Folgerø, ku iu kërkua të merrte në shqyrtim përmbajtjen e orëve të mësimit të “Krishtërimit, fesë dhe filozofisë” (KFF), ajo konstatoi se fakti që programi i kushtonte hapësirë më të madhe njohurive mbi fenë kristiane se sa feve dhe filozofive të tjera, nuk mund të konsiderohej në vetvete si një largim prej parimeve të pluralizmit dhe objektivitetit duke çuar në indoktrinim. Ajo shpjegoi se, duke patur parasysh vendin që zinte Krishtërimi në historinë dhe traditën e Shtetit të paditur – Norvegjisë – kjo çështje duhej konsideruar e tillë që ishte brenda hapësirës së vlerësimit së Shtetit për planifikimin dhe ndërtimin e kurrikulës (shiko Folgerø, cituar lart, § 89). Ajo mbërriti në një konkluzion të ngjashëm në lidhje me orët mësimore të “kulturës fetare dhe etikës” në shkollat turke, ku programi u jepte përparësi më të madhe njohurive për Islamin me arsyetimin se, megjithë natyrën shekullare të Shtetit, Islami ishte feja maxhoritare e praktikuar në Turqi (shiko Zengin, cituar lart, § 63).
72. Veç kësaj, një kryq në një mur është në thelb një simbol pasiv dhe kjo pikë, në vështrimin e Gjykatës, është e rëndësishme, veçanërisht duke patur parasysh parimin e neutralitetit (shiko paragrafin 60 lart). Nuk mund të mendohet që ai të ketë tek nxënësit një ndikim të krahasueshëm me atë të ligjëratës didaktike dhe pjesëmarrjes në aktivitetet fetare (shiko për këto pika Folgerø dhe Zengin, cituar lart, § 94 dhe § 64 respektivisht).
73. Gjykata vëren se në vendimin e saj të 3 Nëntorit 2009, Dhoma ra dakord me parashtrimin se ekspozimi i kryqeve në klasa do të kishte një ndikim domethënës mbi kërkuesit e dytë e të tretë, në atë kohë në moshën njëmbëdhjetë dhe trembëdhjetë vjeç. Dhoma konstatoi se, në kontekstin e edukimit publik, kryqet të cilët ishte e pamundur të mos i vije re në klasë, domosdoshërisht që perceptoheshin si një pjesë integrale e mjedisit shkollor dhe kështu mund të konsideroheshin si “simbole të jashtme të fuqishme” në kuptimin e vendimit për çështjen Dahlab, i cituar lart (shiko §§ 54 dhe 55 të vendimit).
Dhoma e Madhe nuk është dakord me këtë qasje. Ajo mendon se ai vendim nuk mund të shërbejë si bazë për këtë çështje, sepse faktet e të dy çështjeve janë tërësisht të ndryshme.
Ajo thekson se çështja Dahlab kishte të bëntë me masën që e ndalonte kërkuesen të mbante në kokë shallin sipas Islamit ndërkohë që jepte mësim, gjë që kishte për qëllim të mbronte besimet fetare të nxënësve dhe prindërve të tyre dhe zbatimin e parimit të neutralitetit fetar në shkolla, sanksionuar në të drejtën e brendëshme. Pasi vërejti se autoritetet kishin peshuar me kujdes interesat konkuruese të përfshira, gjykata, duke patur parasysh sidomos moshën e vogël të fëmijëve për të cilët kërkuesja kishte përgjegjësi, u shpreh se autoritetet nuk kishin kapërcyer hapësirën e tyre të vlerësimit.
74. Veç kësaj, efektet e vizibilitetit më të madh që prania e kryqit i jep Kristianizmit në shkolla, ka nevojë të vihen më tej në perspektivë duke marrë në konsideratë pikat e mëposhtëme. Së pari, prania e kryqit nuk shoqërohet me mësim të detyrueshëm mbi Kristianizmin (shiko informacionin mbi të drejtën krahasuese në çështjen Zengin, cituar lart, § 33). Së dyti, sipas të dhënave të paraqitura nga Qeveria, Italia e mban të hapur mjedisin shkollor edhe ndaj feve të tjera. Në lidhje me këtë, Qeveria tregoi se nuk ishte e ndaluar që nxënësit të mbanin shami në kokë apo simbole e veshje të tjera me konotacion fetar; Fillimi dhe mbyllja e Ramazanit “shpesh festoheshin” në shkolla; dhe në shkollë mund të organizohej mësim fetar me zgjedhje për “të gjitha besimet fetare të njohura” (shiko paragrafin 39 lart). Veç kësaj, nuk kishte asgjë që të bënte të mendoje se autoritetet ishin jo-tolerantë ndaj nxënësve që besonin në fe të tjera, që ishin jo-besimtarë apo kishin bindje filozofike jo-fetare. Gjithashtu, kërkuesit nuk pohuan se prania e kryqit në klasë kishte nxitur zhvillimin e praktikave mësimore me tendencë predikuese konvertuese, as pretenduan se kërkuesi i dytë e i tretë kishin patur përvojën e ndonjë reference tendencioz e ndaj kësaj pranie nga ndonjë mësues/e ndërsa ushtronte funksionet e tij apo të saj.
75. Së fundi, Gjykata vëren se kërkuesja e parë e ka ushtruar plotësisht të drejtën e saj si prind për të ndriçuar dhe këshilluar fëmijët e saj, për të ushtruar në lidhje me ta funksionet e saj natyrale si edukatore dhe për t’i udhëhequr në një drejtim që shkonte në përputhje me bindjet e veta filozofike (shiko, veçanërisht, Kjeldsen, Busk Madsen dhe Pedersen dhe Valsamis, cituar më lart, §§ 54 dhe 31 respektivisht).
76. Nga sa më sipër rezulton se, për marrjen e vendimit në lidhje me mbajtjen e kryqit në klasat e shkollës shtetërore ku mësonin fëmijët e kërkueses së parë, autoritetet kanë vepruar brenda kufijve të hapësirës së vlerësimit që ka Shteti i paditur në kuadrin e detyrimeve të tij për të respektuar, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij në lidhje me edukimin dhe mësimdhënien, të drejtën e prindërve për një edukim dhe mësimdhënie në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike.
77. Gjykata rrjedhimisht konkludon se nuk ka shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 në lidhje me kërkuesen e pare. Ajo mendon gjithashtu se nuk rezulton të ketë ndonjë problematikë tjetër në bazë të Nenit 9 të Konventës.
2. Çështja e kërkuesit të dytë e të tretë
78. Gjykata mendon se, e lexuar siç duhet në dritën e Nenit 9 të Konventës dhe fjalisë së dytë të nenit 2 të Protokollit Nr. 1, fjalia e parë e po kësaj dispozite u garanton fëmijëve të shkollave të drejtën për edukim në një formë që respekton të drejtën e tyre për të besuar apo jo. Për këtë arsye ajo e kupton përse nxënësit që janë në favour të shekuallarizmit mund të gjejnë tek prania e kryqit në klasat e shkollave shtetërore ku ata mësojnë një shkelje të të drejtave të tyre që burojnë nga këto dispozita.
Megjithatë, ajo mendon se, për arsyet e paraqitura në kuadrin e shqyrtimit prej saj të çështjes së kërkueses së parë, nuk ka shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 në raport me kërkuesin e dytë dhe të tretë. Ajo gjithashtu mendon se çështja nuk ngre ndonjë problematikë tjetër në bazë të Nenit 9 të Konventës.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 14 TË KONVENTËS
79. Kërkuesit parashtruan se për shkak të ekspozimit të kërkuesit të dytë dhe të tretë ndaj kryqeve të vëna në klasat e shkollës shtetërore ku ata mësonin, të tre ata, duke mos qenë katolikë, kishin vuajtur një dallim diskriminues në trajtimin e tyre krahasuar me prindërit katolikë dhe fëmijët e tyre. Duke argumentuar se “parimet e sanksionuara në Nenin 9 të Konventës dhe Nenin 2 të Potokollit Nr. 1 përforcohen nga dispozitat e Nenit 14 të Konventës”, ata u ankuan për shkelje të këtij Neni, i cili parashikon:
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
80. Dhoma u shpreh se, duke marrë parasysh rrethanat e çështjes dhe arsyetimin që kishte çuar në konstatimin e një shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 marrë në lidhje me Nenin 9 të Konventës, nuk kishte arsye të shqyrtonte çështjen edhe në bazë të Nenit 14, më vete, apo në lidhje me ato dispozita.
81. Gjykata, e cila vëren se argumentet e paraqitura në mbështetje të kësaj ankese janë të pakta, rithekson se Neni 14 i Konventës nuk ekziston në mënyrë të pavarur, pasi ai është i efektshëm vetëm në lidhje me gëzimin e të drejtave dhe lirive të garantuara nga dispozita të tjera substantive të Konventës dhe Protokolleve të saj.
Duke u nisur nga supozimi se kërkuesit dëshironin të ankoheshin për diskriminim në lidhje me gëzimin prej tyre të të drejtave të garantuara nga Neni 9 i Konventës dhe Neni 2 i Protokollit nr. 1, për shkak se, duke mos qenë aderues të fesë katolike, kërkuesi i dytë dhe i tretë ishin ekspozuar ndaj pamjes së kryqit në klasat e shkollës shtetërore ku ata mësonin, Gjykata nuk shikon në këtë ankesa ndonjë problematikë të ndryshme nga ato tashmë të përcaktuara prej saj në bazë të Nenit 2 të Protokollit nr 1. Rrjedhimisht, nuk ka arsye për shqyrtim të kësaj pjese të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, me pesëmbëdhejtë vota kundrejt dy, se nuk ka shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 dhe se nuk se nuk rezulton ndonjë problematikë tjetër në bazë të Nenit 9 të Konventës;
2. Vendos njëzëri se nuk ka arsye për të shqyrtuar ankesën në bazë të Nenit 14 të Konventës.
Bërë në anglisht dhe frengjisht, dhe njoftuar në seancë publike në Godinën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 18 Mars 2011.
Erik FriberghJean-Paul Costa
RegjistruesPresident
Në përputhje me Nenin 45 § 2 të Konventës dhe Rregullin 74 § 2 të Regullores së Gjykatës, këtij vendimi i bashkangjiten opinionet më vete si më poshtë:
(a) Opinion pajtues i Gjyqtarit Rozakis bashkuar me Gjyqtarin Vajić;
(b) Opinion pajtues i Gjyqtarit Bonello;
(c) Opinion pajtues i Gjyqtarit Power;
(d) Opinion kundërshtues i Gjyqtarit Malinverni bashkuar me Gjyqtarin Kalaydjieva.
Opinionet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose frëngjisht, në variant(et) e gjuhës zyrtare të vendimit, që mund t’i gjeni në bazën e të dhënave HUDOC të jurisprudencës së Gjykatës.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën, e cila nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën Gjykata e ndan atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo-komerciale, me kusht që të citohet titulli i plotë i çështjes, së bashku me të dhënat e mësipërme për të drejtën e autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Për përdorimin e çdo pjese të këtij përkthimi për qëllime komerciale, ju lutemi të kontaktoni në adresën publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights (/humanrightstrustfund ) or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (/humanrightstrustfund ), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sour réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à de fins commerciales est invitee à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy